VOAL

VOAL

KOSOVË – Poezi nga VEHBI SKËNDERI (18 maj 1927 – 13 qershor 2021)

November 22, 2020

Komentet

11 SHTATOR, GJITHNJË MËNGJES, NË ORËN  8. 45 E MË PAS – fragment nga romani “SHTATORI I GJËMËS  SË MADHE” i Skifter Këlliçit

 

 

“SHTATORI I GJËMËS  SË MADHE”

 

Me rastin e 25 – vjetorit të atentatit  terrorist në Kullat Bibjake të Nju Jorkut, po botojmë një fragment nga romani me të njejtin titull i shkrimtarit Skifter Këlliçi, botuar në vitin  2010 në Shqipëri, në vitin 2022 në Amerikë nën titullin  “Disastrous September” nga Llullu Press dhe  nën titullin “Disastroso  Septembre”  vitin e kaluar në Itali. Siç dihet, midis rreth 3000 viktimave të këtij atentati ishin edhe tre shqiptarë, personazhe të këtij romani .

 

 

11 SHTATOR, GJITHNJË MËNGJES, NË ORËN  8. 45 E MË PAS

 

Besimi ndodhej në kosh dhe po përfundonte së pastruari qelqet e dritareve të kateve të epërme të kullës së parë.

Tisnaja mjegullore po davaritej duke lënë të shfaqeshin kokat e rrokaqiejve të tjerë përreth kullave binjake, të cilat dukeshin sikur atë mëngjes po përshendetnin njera- tjetrën. Nga sipër në tarracën, të mbushur me turistë, disa prej tyre, madje edhe me fëmijë, zgjateshin që të fotografonin Besimin në kosh dhe pamjet magjepsëse që shpaloseshin pas tij nga kjo lartësi.

Mund të kishte vazhduar si zakonisht punën, por Markoja i kishte thënë se, përderisa sistemi elektrik në kullën e dytë nuk kishte përfunduar së rregulluari, ai kishte dëshirë ta zëvendësonte në mënyrë që shoku i tij të bënte një pushim të shkurtër. ”Për dy javë ti do ta lesh këtë zanat një herë e përgjithmonë, ndaj duhet të të mbajmë me kimet”, i kishte thënë. Dhe Besimi ishte bindur.

Mirëpo, kur shtypi butonin dhe koshi dalëngadalë zuri të ngrihej për të arritur në tarracën e katit të 107- të, ku e priste Markoja, ai dalloi nga larg një avion që po bënte drejt kullës. Gjatë tërë atyre viteve që kishte punuar pastrues në Kullat Binjake, kishte parë avionë që kalonin mbi qiellin e Nju Jorkut, por kurrë të fluturonin kaq pranë.

Mos ndoshta piloti po bënte ndonjë demonstrim, mos ndoshta, duke qenë i pirë, kishte humbur kontrollin e avionit që drejtonte, mos ndoshta po bënte një shaka pa kripë? E, pra, nuk dukej avion i vogël, një ose dy vendesh, por avion transporti udhëtarësh.

Edhe Markoja, mbeti i çoroditur kur pa që avioni tashmë po sulej drejt kullës. Lëshoi një britmë, ia bëri me dorë, si t’i thoshte pilotit se kishte gabuar kahje, se po të vazhdonte kështu, do të përplasej me kullën. Ishte një veprim i pavetëdijshëm, se, merrej me mend, se nga një largësi, ende e madhe, piloti as që kishte mundësi ta pikaste atë që vazhdonte të tundte dorën gjithnjë e më shumë.

Por kur avioni u shfaq tashmë aq pranë, si dinozaur parahistorik me krahë të nderë, i gatshëm të mësyjë prenë e tij, kur ai goditi me shpejtësi marramendëse diku në mesin e kateve të kullës, kur ajo u trand, u lëkund, Besimi në kosh dhe Markoja në tarracë, ndonëse larg njeri- tjetrit, e morën me mend se kishte ndodhur diçka që ia kalonte tmerrit, llahtarit, hatësë.

Në çast koshi ku ndodhej Besimi, i cili tashmë po ngjitej me shpejtësi mbeti dhe u tund sa nga e majta aq edhe nga e djathta, sa ai mezi mundi të mbante drejtpeshimin. Shtypi edhe një herë butonin, por më kot. Atëherë kuptoi se qarku elektrik ishte bllokuar dhe ai kishte mbetur i burgosur në kosh, pa më të voglën mundësi që të dilte së andejmi.

Markoja u sul drejt hekurave rrethuese të tarracës, u mbështet mbi to, zgjati kokën dhe pa koshin që ende vazhdonte të tundej me Besimin brenda tij. E kuptoi që koshi tashmë nuk mund të ngrihej dhe se shoku i tij do të mbetej përgjithnjë atje.

Rrufeshëm vrulloi teposhtë drejt ashensorit. Së bashku me të edhe dy – tre punëtorë që edhe ata ndodheshin mbi terracë, së bashku me grupin e turistëve, që shtrëngonin në duar fëmijët e tyre. Ishin kaq të tromaksur sa, duke e parandierë se ç’rrezik i madh i priste, asnjëri nuk shqiptoi qoftë edhe një fjalë. As Markoja. Mirëpo ashensori nuk punonte. Markoja u kujtua se edhe aty ishte ndërprerë qarku elektrik.

– O burra, te shkallët! – briti me zë të mbytur njëri nga punëtorët, kur sinjali i alarmit po jehonte drithtueshëm.

Ashtu bënë të gjithë. Bashkë më ta edhe Markoja, i ndjekur nga turistët, që filluan të flitnin tërë ankth në gjuhët e tyre. Duke u derdhur furishëm nëpër shkallë, ai solli ndërmend se, kështu ishte derdhur edhe Besimi disa vjet të shkuara, kur kishte marrë vesh se në katet nëndhese të kullës ishte hedhur një bombë dhe ashensorët ishin bllokuar.

Shkallët po dyndeshin tani edhe nga punonjës të kateve të tjera dhe  burra e gra që sokëllinin të mbërthyer nga paniku e llahtari.

– O zot, ç’është ky, tërmet?

– Jo, më duket se një avion ka goditur anën e prapme të kullës.

– Një avion? Po piloti ku i kishtë sytë?

– Një djall e merre vesh!

– Lërini llafet, të shpëtojmë kokën. Kjo ka rëndësi!

Ata bënin teposhtë e teposhtë, andej nga filloi të vinte një duhmë e rëndë dhe shtëllunga tymi të zi, zunë të ngjitëshin lart, aq sa atyre filloi t’u zihej fryma.

Markoja u ndal në katin e 80- të dhe mori majtas. Vrapoi nëpër mesore, u përplas me disa nëpunës, që u habitën kur panë se ai, në vend që të kriste e t’ia mbathte si ata, po bënte të kundërtën, u rrëzua, u ngrit, u kthye djathtas, u fut në një zyrë, pastaj në një tjetër dhe tutje dritares së madhe të saj pa Besimin brenda koshit që varej pezull. Megjithëse si i kapur në çark po mundohej t’i afrohej dritares.

Atëherë Markoja rrëmbeu një karrike dhe, me sa forcë që kishte, nisi të godiste qelqin e trashë të dritares. Të njejtin veprim zuri të bënte edhe Besimi me shkopin e gjatë, mbi majën e të cilit ishte furça që i shërbente për të pastuar e larë dritaret. Por më kot. Shkopi qe i lehtë dhe i hollë. Ai nuk kishte peshë dhe si pasojë, pas disa përpasjesh në qelqin e trashë të dritares, pjesa e sipërme e tij, u thye.

Besimi ofshani dhe drejtoi sytë nga Markoja që goditi karriken sërishmi edhe më më shumë forcë mbi xhamin e trashë të dritares. Xhami në një moment u kris, u plasarit dhe më së fundi u grimcua në qindra e qindra kokrriza të imta, një pjesë e të cilave u tretën teposhtë dhe një pjesë tjetër e vogël u përhap mbi parketin e zyrës.

– Zgjatma shkopin!- briti Markoja që tashmë ndodhej mbi prevazin e dritares, aq sa po vinte veten në rrezik.

Dhe Besimi ashtu bëri. Markoja i tendosur nderi krahun e djathtë për ta kapur shkopin dhe dorën tjetër e mbërtheu në pjesën prej dërrase të dritares, qelqi i së cilës tashmë ishte thyer përgjysmë. Atëherë, si e shtrëngoi shkopin fort në dorë, e tërhoqi pas vetes e bashkë me të, tërhoqi edhe koshin ku ndodhej Besimi. Sapo koshi preku faqen e murit ku fillonte dritarja, Besimi, me duart të mbështetura në mbajtësen e koshit, u ngrit me të dyja këmbët mbi paretin anësor të tij, u hodh përmes dritares brenda dhomës dhe u shkapet mbi dyshemenë e zyrës dhe atë çast nga goja e tij shpërtheu një rënkim therës.

– Ç’pate? – pyeti Markoja duke iu afruar dhe duke rrekur ta ngrinte.

– Këmba, – rënkoi Besimi, duke u përpjekur të ngrihej. – Më duket se e ndrydha.

– Të ndihmoj unë, – i dha zemër Markoja, duke e kapur për duarsh.

Por Besimi ndjeu se e kishte tepër të vështirë. Sidoqoftë, ishte dëshira për t’u larguar sa më parë që aty, dëshira për të zbritur sa më shpejt poshtë, dëshira për të jetuar, që e hovëzoi, që i dha forca. Ndaj, vuri njërin krah mbi shpatullën e Markos, i cili e mbështolli me njerën dorë në bel, u ngrit më këmbë dhe zuri të çapiste.

Nisën të zbrisnin shkallët e kateve të sipërme, ndërsa shihnin se brinjas u kalonin plot punonjës që derdheshin vrullueshëm nëpër shkallë. Secili për të qenë sa më shpejt poshtë, secili për të shpëtuar nga kjo katrahurë.

Nga dhëmbja që nisi të shtohej gjithnjë e më shumë, Besimi nuk mund ta prekte këmbën e ndrydhur në dysheme e jo më të ecte. Ndaj, duke u mbështetur edhe më fort në në shpatullat e Markos, zuri të përdorte vetëm këmbën tjetër.

Mirëpo, kur po zbrisnin kështu disa kate më poshtë, për njerëzit që vërshonin pas tyre, ata pa dashur u bënë pëngesë.

– Ej, ju, bëni tutje, se kini i zënë tërë shkallën, – u sokëlliu një zë pas tyre.

Të tjerë nuk e zgjatën, dhe i shtynë, aq sa ata për pak nuk u rrëzuan.

– Mbahu mbi shpatullat e mia, Besim, – i tha atëherë Markoja.

– Eshtë e kotë, Marko, – ia ktheu Besimi. – Më mirë më ler mua dhe ik, ik, sa nuk është vonë.

– Në asnjë mënyrë, mik, – ia ktheu Markoja duke tundur kokën.

Dhe kështu, në sheshpushimin e një kati, ai u përkul para Besimit, që i mbështeti duart mbi shpatullat e gjëra të tij. Kësisoj, ata vazhduan të përshkonin shkallët teposhtë.

– Si nuk deshi perëndia që të shkoje me mëngjes në kullën tjetër, ku punon ngahera, – tha pastaj Besimi me dhëmshuri. – Do të kishe shpëtuar nga kjo mënxyrë.

– Ja që kështu ndodhi, – rënkoi Markoja . – Po të bëjmë tani durim e të shpëtojmë së bashku.

Mirëpo, kur po kalonin pranë një dritareje që të shpinte edhe një kat më poshtë, ata panë vetëtimthi një avion tjetër që u përplas me rapëllimë shkundulluese diku mbi kullën dytë, që u përpi brenda kateve të saj të cilat shpërthyen në flakë.

Në çast ata që vazhdonin të vërshënin rrakapjekthi nëpër shkallë, burra e gra, u lebetitën e një grimë mbetën, thua se një avioni tjetër kishte goditur kullën ku ndodheshin.

Besimi ndjeu që shpatullat e fuqishme të Markos mbi të cilat kishte vënë duart, u drodhën; ai u lëkund e mezi u mbajt.

– Atëherë, nuk paska qenë gabim i pilotit që goditi këtë kullë, – mëmëriti ai me zë të përhumbur  -Si thua, Besim?

Besimi mbeti një çast pa ditur ç’të thoshte.

– Ke të drejtë, Marko,- iu përgjigj pastaj dëshpërueshëm.- Ky është atentat kundër të dy kullave.

– Po kush e bën këta atentat kush, kush ? Ata ta Al Kaedës?

– Askush tjeter, veç atyre.

Atëherë Besimi pa se si Markoja, edhepse mbante mbi shpatulla peshën tepër të rëndë të trupit të tij, u grahu shpejt këmbëve nëpër shkallë, ku edhe më shpejt po turreshin edhe të tjerë, të tromaksur nga buçimat rëqethëse që kishte shkaktuar goditja e avionit të dytë ndaj kullës tjetër.

Mirëpo këtë radhë, disa nga ata që ndodheshin pas tyre, nuk u bënë më zë që të lëronin rrugën, por në panik e sipër, e dashur pa dashur, i shtynë ata të dy si të mundin. Markoja u rrek të mbahej, por humbi drejtpeshimin dhe u gremis me gjithë Besimin, koka e të cilit u përplas me forcë në parmakun prej hekuri të shkallës. Përplasja qe kaq e fortë, sa gjaku ziuri të buiste nga balli dhë të mbulonte fytyrën e Besimit, që kafshoi buzën e poshtme që të mposhtte një dhëmbje tjetër therëse.

Markoja, ndonëse edhe ai i dëmtuar në njërën dorë, brofi shpejt më këmbë dhe deshi ta ngrinte përsëri Besimin dhe së bashku me të të vazhdonte të zbriste. Por ai vuri buzën në gaz dhe i tha me një fije zëri:

– Tani është e kotë, Marko. Në do të shpëtosh veten, më lër mua këtu dhe vrapo. Vrapo sa të të hanë këmbët, vrapo sa zjarri që duhet të këtë shpërthyer poshtë, të mos kapëlojë shkallët.

– Jo, jo!- briti Markoja, ndërsa lotë nisën t’i teptisnin sysh.

– Marko, – vazhdoi Besimi, kur fytyra tashmë i ishte mveshur nga një nënqeshje e irnosur. – Ti e di mirë, herën e parë më 1993 shpëtova duke zbritur këto shkallë për rreth tri orë e gjysmë. Dhe nuk kisha njeri mbi shpatull, siç më pate ti mua deri pak më parë. Tani, pas kësaj që më ndodhi, nuk mund të më ndihmosh se fuqitë po më lënë. Kështu qenka e thënë, or bir. Ndaj shko, shpëto të paktën veten.

Dhe kur Markoja i mbytur në lotë, nderi duart që ta mbarte, Besimi pati aq forca sa t’i mbërthentë njerën prej tyre e t’i thoshte:

– Lamtumirë, Marko!

Më tepër se një përshëndetje e fundit, ato fjalë i tingëlluan Markos si urdhër. Ndaj ai e zuri Besimin për qafe, e shtrëngoi fort, e puthi mes ngashërimesh dergjeplota, u ngrit, bëri disa hapa, u pendua, deshi të kthehej sërishmi nga ai, por kur pa që Besimi përsëdyti vrazhdë :”Ik sa më parë, Marko!”, u bashkua me turmat që, edhe ato tashmë kishin kuptuar se këto që po ndodhnin në të dyja kullat, ishin pasojë e një bëme djallëzore, të përgatitur enkas, ndaj, të lebetitura vazhdonin të derdheshin poshtë e më poshtë shkallëve, përmes tymit të zi sterrë që dëndësohej gjithnjë dhe më shumë.

Ndonëse rrallë, pati dhe ndonjë që, ashtu si Markoja iu afrua Besimit të përmbysur pranë parmakut, por ai, me sy tashmë të mjegulluar ua bëri me dorë që të vazhdonin të largoheshin.

Atëherë, Besimi nxori nga xhepi telefonin e dorës.

 

Marta po përgatitej të shkonte, si përherë në punë, kur dëgjoi zilen e telefonit. E ngriti dhe dëgjoi zërin e Besimit. Zakonisht ai rrallë i telefonte në orët e para të mëngjesit, ndaj dhe ajo u habit kur dëgjoi zërin e tij dhe u habit edhe më shumë, kur ai zë ishte më shumë se hija e atij zëri. Një zë  i  moskësobotshëm.

– Martë, a je vetëm në dhomë, apo me djalin?- e pyeti ai.

– Djali është në dhomën e vet e po sheh një film në televizor, – iu përgjigj ajo. – Po pse më pyet?

– Mbahu si burrneshë, Martë. Kulla ku ndodhem unë ashtu si dhe kulla tjetër binjake, janë goditur nga dy avionë. Mos më pyet më gjatë. Me siguri këtu kanë gisht terroristët e Bin Ladenit.

Me të dëgjuar këto fjalë, ajo nuk përmbajti një klithmë.

– Të thashë të mbahesh si malësore që je!- e urdhëroi ai.

Dhe ajo shtëngoi buzët që i dridheshin.

– Tash më dëgjo me vemendje, – vazhdoi ai.

Kësodore, zuri t’i rrëfente çfarë kishte ndodhur. Pas çdo fjale të tij Marta psherëtinte, ofshante, mbante lotët, gëlltiste këtë ogur të zi që po ia helmonte zemrën, shpirtin, jetën.

– Në besë të besës më ke, – tha pastaj ajo përmes ngashërimesh brengosëse, kur Besimi mbaroi së rrëfyeri gjithçka që kishte përjetuar dhe që përjetonte ato çaste. – Edhe Trimit, tash për tash nuk po i tregoj asgjë…

Por fërgëlloi kur ndjeu se dy duar të vogla e prekën nga pas, dy duar që dridhëtonin, që digjeshin, dy duar që përvëlonin. Ktheu vrulltas kokën dhe pa të birin, Trimin, me sy të rrëmbushur, që nisi të thoshte plot përdëllim:

– Nënë, në televizor shikova se të dyja kullat kishin marrë flakë, kurse ti sapo flisje për mua në telefon e po thoje që nuk do të më tregoje gjë . Me babën po bisedoje?

Marta mbeti e drunjësuar, pa ditur se ç’përgjigje t’i jepte të birit.

Atëherë Trimi, që kuptoi gjithçka, mori telefonin nga dora së ëmës dhe zuri të thoshte me ngashërim:

– Babë, ti më ke vënë emri Trim, ti më ke mësuar që trim të jem gjithnjë! Më thuaj, babë, a je në një nga kullat që po digjen?

Edhe Besimi, ashtu si Marta, u befasua, kur dëgjoi ç’po i thoshte i biri. E pa që ishte e kotë t’ia mbante këtë të fshehtë atij. Në mos tani, ca më vonë, ai do ta mësonte atë.

– Po, bir, jam në kullën e parë.

– Po vimë edhe ne babë, – klithi  Trimi me tërë forcën e mushkërive të tij. – Po vimë për të të shpëtuar.

– Është e kotë, bir. Kullat s’do të vonojë e do të shëmben. Mund të shpëtojnë vetëm ata që ndodhen në katet e poshtme të tyre. Prandaj, mbahu dhe ti si nëna jote.

Pas këtyre fjalëve, Trimi, sadoqë u përpoq, u mbyt në lotëri.

– Po burrnohu, Trimi i babës, ti sapo më dhe fjalën, – dëgjoi zërin e të atit, që thuajse po i përgjërohej.

Megjithatë, një forcë instiktive e shtyu djalthin të kapte për dore nënën dhe të bënte vrulltas përpara, duke shpresuar në një fuqi të mbinatyrshme që së bashku me të të dilnin thuajse duke fluturuar jashtë pallatit, ku banonin dhe, po duke fluturuar, të gjendeshin te Kullat Binjake, të gjenin shpejt babain dhe ta shpëtonin. Por qe një feksje e vetëtimtë, një mirazh po aq i vetëtimtë, që erdhi e u shua menjëherë.

Sado i vogël, Trimi, duke ndjekur nga ekrani pamjet gjëmëmëdha, e kuptoi mirëfilli se ç’po ndodhte dhe mbeti, ndërsa e ëma, duke shtënguar buzët që të mos i shpëtotnte prej tyre ndonjë gulçim, e rroku dhëmshurisht..

– Mirë, babë, atë po bëj, – mërmëriti pastaj vogëlushi, duke fshirë me dorën tjetër lotët që i çurkonin faqeve.

– Tani më dëgjo me vemendje, ti me nënën, – vijoi Besimi, ndërsa Trimi me Martën pritnin ç’do t’u kumtonte ai:

– Bir, pas pak ditësh ju do të ktheheni në Kosovë, do të shkoni në Prizren, në qytetin ku kam lindur, ku prindërit më vunë emrin Besim, që të besoj për të ardhmen e Kosovës.. Nuk do të kalojnë një, dy, ose dhe pak më shumë vjet dhe kjo ka për të ndodhur.

– Po babë, ne do ta shohim atë ditë të lume, do ta shohim Kosovën të pavarur, siç më ke thënë shpesh herë ti.

– Ah, sa e bukur është Kosova, bir!…

Ashtu si një vetëtimë që çan qiellin e rënduar nga re të tufanta, të cilat paralajmërojnë stuhi, shtërgatë, ashtu edhe Trimit vetëtimthi iu kujtuan ato fjalë që ati i kishte përsëritur sa e sa herë, qoftë kur shetitnin dhe ai magjepsej nga bukuritë e mahnitshme të Nju Jorkut, nga rrokaqiejtë, ujëvarat gurgulluese e liqenthet që hijeshonin parqet bleroshe, qoftë kur e vinte për të fjetur, ku, veç përrallave, i shushuriste me zë ëmbëlak:

“A don male në Kosovë, bir? Ke për të parë Bjeshkët e Namuna, me majën e tyre më të lartë, Gjeravicën. A don fusha? Sikur të kalosh, qoftë përmes Fushës së Kosovës, ke për t’u mahnitur, kur të ecësh e të ecësh përmes saj e ajo ka për t’u dukur se nuk ka të sosur. Po lumenj? Afrohu në brigjet e Drinit të Bardhë që është më i madhi e që përshkon tërë Rrafshin e Dukagjinit, me pamje që të lenë pa mend. Po liqenet, bir! Më nënën do t’i ngjitesh Malit të Sharrit dhe ke për të parë liqene të vogla me ujë të kthjellët e të kaltërt, si qielli në ditë të bukura pranverë…!”.

– Po, babë, – mezi mundi të belbëzonte pastaj Trimi i ngashëryer. – E ti sa e sa herë më ke folur plot mall për bukuritë e Kosovës e të të jap fjalën që kam për t’i parë, ashtu siç kam për të parë edhe viset e Grudës, ku ku ka lindur nëna…

Ai heshti një grimë dhe priti fjalën e Besimit.

– A po më dëgjon, babë?- e pyeti pastaj.

Por nuk dëgjoi më zërin e tij.

– Babë, babë! –  gulçoi pastaj Trimi duke drejtuar sytë plot ankth nga e ëma.

Përsëri heshtje.

Atëherë Marta, mori dorëzën e telefonit nga duart e tij.

– Si je, Besim?- e pyeti, gjithashtu, plot ankth.

Por, në vend të përgjigjes, nga marrësi erdhën buçima, këlthitje, rënkime dhe asgjë tjetër.

 

Të ruajtë Zoti!- Poezi nga FATBARDH AMURSI

 

Falë fatit,

erdha deri këtu

pa u kthyer në mish për hijenat.

Se po të ishte për zotësira,

ndere

a shpirt bujar,

Këto veçse ta shpejtojnë fundin,

aty ku i ligu të zë pritë si kusar.

Më të zotë nga unë e pësuan,

damarët i preu ai me shpirt qelibar,

Sa e sa njerëz të mrekullueshëm

u hodhën në skëterrë

si e si të ngjitej dikush në altar?!

.

Të ruajt Zoti,

më thotë shpesh miku im, Tahsin,

s`di nëse fjala e tij

shkon në vesh të perëndisë…

Atëherë kush më shpëtoi

aty ku s’ka duk,

as gjest i mirësisë?

.

Fatbardh Amursi

Unë jam Ura Mirabo- Cikël poetik nga ANTON PAPLEKA

ExLibris

MONOLOGU I URËS MIRABO

Unë jam Ura Mirabo
E di se një poet i quajtur Gijom Apolineri
Ka shkruar për mua një poemë të përmendur
Ku dashuritë gëzimet brengat dhe ditët
Ai i ka përqasur me ujërat që rrjedhin pandërprerje
Nën harqet e mia moskokëçarëse
Që ikin tutje pa asnjë shpresë kthimi
Siç thotë metafora e stërnjohur e Heraklitit nga Mileti

Ato që kam parë e kam dëgjuar gjatë ekzistencës sime
Qysh nga koha që kam zënë vend në brigjet e këtij lumi
Më kanë bindur se të gjitha gjërat dhe krijesat e kësaj bote
Janë kalimtare si valët e lodhura që kalojnë nën harqet e mia
Të cilat kanë harruar se dikur kanë qenë re
Pika vese shira të imët rrebeshe flokë bore
Burime lumenj liqene dhe dete

Muzgjeve
Kur rrallohen anijet që lundrojnë nëpër Senë
Kur shuhet zhurma e hapave që ecin në kurrizin tim
Kur yjtë e largët zbresin nga qielli dhe pasqyrohen në lumë
Sikur duan të më bëjnë shoqëri dhe të ma pakësojnë vetminë
Unë zë të recitoj në heshtje poemën e Gijom Apolinerit
Sikur autori i saj të isha unë Ura Mirabo :
Atëherë ndiej sesi më pushton një ngashërim i thellë
Dhe trupi im metalik dridhet nga dënesje të forta…

NJË LËMSH I ZJARRTË

Kam ndjesinë sikur kam brenda meje
Një lëmsh të zjarrtë

Ai është kaq i pranishëm tek unë
Saqë e përfytyroj flurudhën e tij
Përmes qenies sime

Unë nuk e di nga çfarë përbëhet
As sesi bashkëjeton
Me mishin dhe me eshtrat e trupit tim

Nuk jam në gjendje të them
Emrin e këtij lëmshi të zjarrtë

E vetmja gjë për të cilën jam i sigurt
Është se ai më nxit të mendoj të ëndërroj
Të kryej atë që nuk ia kam dalë dot ta bëj
Ose atë që më duket e pamundur

Unë nuk e di a do të qëndrojë gjatë i ndezur
Ai lëmsh i zjarrtë
Apo do të shuhet përnjëherësh

Gjithçka që mund të them për praninë e tij
Është se ai lëviz nëpër qenien time
Si një yll i këputur apo si një kometë…

ZOGU QË KLITHI NË MUZG

Vallë çfarë deshi të më thoshte
Ai zog që klithi në muzg
Përballë dritares sime ?

A mos deshi të më bënte të njohur
Praninë e tij apo vetminë e tij ?

A qe vërtet një zog
Apo ai qe shpirti i ndonjë të afërmi
Të vdekur prej kohësh
Që kishte ardhur të më mbushte mendjen
Se dukuria e metempsikozës
Ekziston me të vërtetë ?

I pikëlluar nga nata që po e shndërronte botën
Në një humnerë të mugët e të shurdhër
Unë mbeta me sy të mbërthyer te dritarja
Sikur prisja t’ia behte në hapësirën e saj
Zogu që klithi në muzg

A mos vallë ai zog i padukshëm
Ishte diçka e dashur që e kisha humbur gjatë jetës
Dhe nuk do të kthehej më kurrë ?

Ndoshta në kohën që unë prisja ta dëgjoja përsëri
Zërin e zogut që klithi në muzg
Përballë dritares sime
Sytë e tij ishin bërë yje që më vështronin
Nga qielli i pakufishëm…

VEGIM NATE

Do të doja të kisha një fuqi mbinjerëzore
Për të lëvizur nga vendi shkëmbin e zi e të rëndë
Me të cilin kjo natë e ka mbyllur shpellën e saj të errët
Dhe zgjat drejt meje mendimet e saj të kobshme
Si duart e zhgabërryera të një Polifemi të verbuar

Më kot strukem në skutat më të largëta të shpellës së errët
Duke përgjuar me veshët pipëz edhe zhurmën më të vogël
Të hapave që enden verbtazi dhe nuk reshtin së afruari
Unë e di se Polifemi ma ka bërë benë
Se fati im është të jem pré e tij

Më kot pres që të zbardhë drita
Që një rreze dielli të depërtojë përmes ndonjë të çare
Për t’i dhënë fund ankthit të kësaj nate të pasosur
Ku rri pa shtënë gjumë në sy
Pa shpresuar se shkëmbi që zë grykën e shpellës së saj
Do të lëvizë nga vendi ndonjëherë

Ky shkëmb i zi e i rëndë i shkoqur nga brinja e një mali
Do të jetë guri i varrit tim të errët
Si kjo natë makthi kur mendimet e saj të mynxyrshme
Më kërkojnë me mllefin e me ngulmin e një Polifemi kanibal
Që ma ka bërë benë të më hajë të gjallë
Që afrohet e afrohet…

MESAZH PËR ZOTIN

Si ta gjej adresën e-mail të Zotit
Për t’i dërguar një mesazh
Për t’i thënë se ai është një autor i dështuar :
Bota e krijuar prej Tij
Në gjashtë ditë apo gjatë miliona vjetëve
Po shkon keq e tukeq ?

Për t’i thënë se bota jonë
Kërcënohet nga anijethyerja
Nga cunamet dhe nga megazjarret
Sidomos nga mynxyra më fatale sesa të gjitha të tjerat :
Nga marrëzia njerëzore

T’i lutem me zjarr
T’ia fillojë punës menjëherë
Për ta rishkruar Gjenezën
Për të nxjerrë në dritë një Botë të Re
Ku do të përjashtohet qenia njerëzore
Ose së paku do të rimodelohet
Do të bëhet një qenie
Që nuk e ka kryer vrasjen e parë
Nuk e ka nyjëtuar ende fjalën « luftë »
Nuk e ka shpikur bombën H
Nuk ka stokuar me mijëra koka me mbushje bërthamore
Që mund ta hedhin në erë planetin disa herë

Një qenie që nuk ka filluar ta kolonizojë Tokën
Me Hordhinë e Hekurt të Robotëve

Ta lus me zjarr Zotin të veprojë
Para se të jetë kaluar vija e kuqe
Përtej së cilës zhdukja e botës sonë
Do të jetë e pakthyeshme

Sepse një fund i tillë nuk mund ta gëzojë
As të jetë për Të një titull fisnikërie

Me gjithë lutjet që i drejtohen
Dhe me gjithë e-mail-et që shfaqen ditë e natë
Në ekranin e kupës qiellore
Shpresoj se mesazhi im i ngutshëm
Nuk do të kalojë pa u vënë re nga sytë e Tij
Sidomos shpresoj se Ai do të më kthejë një përgjigje
Nga e cila do të varet mbijetesa e miliarda qenieve
Dhe e vetë Tokës sonë…

DATIMI I POEMËS

Pashë një ëndërr ku sapo kisha shkruar një poemë të zymtë
Në të cilën bëhej fjalë për një botë muzgore
Të kërcënuar nga pushtime nga rrokullisje
Nga humbja e venomeve dhe e vlerave njerëzore
Nga kthimi i barbarisë

Sapo e kisha hedhur në letër vargun e fundit
Silueta e Historisë u shfaq para meje
Dhe me një zë urdhrues më tha
Të vija datën në fund të poemës

Pasi më kaloi çmeritja
Data e parë që më erdhi në mendje
Qe viti 476 pas Krishtit kur Odoakri rrëzoi nga froni Romulusin
Perandorin e fundit romak të Perëndimit

Historia ia shkrepi të qeshurit
Duke shtuar se ajo ishte një kohë tepër e largët

Data e dytë që më erdhi në mendje
Qe viti 1337 kur filluan konfliktet
Që u bënë Lufta Njëqindvjeçare

Historia ma mori nga dora stilolapsin
Dhe i ra vizë kësaj date

Data e tretë që më erdhi në mendje
Qe viti 1453 kur ra Konstantinopoja
Dhe u konvertua Shën Sofia

Historia bëri një shenjë mohuese
Me gishtin tregues të dorës së djathtë

Data e katërt që më erdhi në mendje
Qe 18 qershori i vitit 1815-s kur disfata e Napoleonit
U pasua nga batica e zezë që vërshoi në Europë

Historia më tha se as kësaj here
Nuk kisha qëlluar dot në shenjë

Data e pestë që më erdhi në mendje
Qe 28 korriku i vitit 1914 kur plasi Lufta e Parë botërore
E quajtur ndryshe Ploja e madhe ose Lufta e Fytyrëcopëtuarve

Historia më tha se i isha afruar mjaft
Datës së saktë

Data e gjashtë që më erdhi në mendje
Qe 1 shtatori i vitit 1939
Kur ushtria hitleriane pushtoi Poloninë
Çka shkaktoi fillimin e Luftës së Dytë botërore

Historia më tha t’i hapja sytë mirë
Dhe ta vëzhgoja botën ku rroja

I orientuar nga fjalët e saj
Në fund të poemës sime
Vura datën e sotme

Historia tundi kokën në shenjë miratimi
Pastaj silueta e saj u bë firë nëpër natë
Duke me lënë fillikat me çmeritjen time

Me poemën time të zymtë
Që rrinte përballë meje si një sfinks…

RRETHI I ZI

Rrethi i zi që vështroj
Në një fotografi
Nuk është një vrimë e zezë :
Ai është syri i shkrimtarit Salman Rushdie
I verbuar më 12 gusht 2022
Nga goditja me thikë e një vrasësi

Me bebëzën e syrit të tij
Një grimcë drite e ardhur nga Big-Bangu
Salman Rushdie e kishte soditur dhe e kishte dashur botën
Që i ngjante me Qytetin e Fitores*
Apo me një kafarnaum të kobshëm

Veprimi i pasardhësit të Kainit
Që e shndërroi në një vrimë të zezë
Syrin e majtë të shkrimtarit Salman Rushdie
Nuk u frymëzua nga dashuria e tij për Zotin
Por nga shpërblimi prej shtatë milonë dollarësh
I premtuar nga porositësit e vrasjes

Thika që u ngul
Në syrin e shkrimtarit Salman Rushdie
I bëri atentat edhe Zotit vetë
Sepse imazhi i njeriut
Syri i të cilit u katandis në një vrimë të zezë
Sipas Gjenezës (1.7) ishte imazhi i Zotit

Përballë rrethit të zi të kësaj fotografie
Që nuk më hiqet nga mendja
Pyes veten : vallë me cilin nga dy sytë e tij
Me syrin e shëndoshë
Apo me syrin ku u ngul thika e një vrasësi
Ky Homer gjysmë i verbuar
E sheh më qartë e më thellë
Tokën tonë që vazhdon të jetë e përlyer
Nga gjaku i pafajshëm i Abelit ?…

*Qyteti i Fitores : një nga romanet e S. Rushdie-së

GËRSHËRËT E PARKËS

Në çastin që erdhe në jetë
Parka u afrua tek ti
Duke kërcitur gërshërët e saj
Me të cilat të preu këthizën
Pastaj të uroi : Rrugë të mbarë !
Në një udhë të panjohur

Buzë rrugës ku ti ecje
Parka u shfaq përsëri
Duke i kërcitur gërshërët e saj mizore
Ajo u rrek të të priste pjesë të tjera të qenies
Ashtu siç të kishte prerë kërthizën :
Të priste fantazinë tënde ëndrrat e tua
Dashuritë e tua nostalgjinë tënde

Kur koha të la në mjerim
Parka u afrua të të priste kujtesën
Gjuhën origjinën të kaluarën
Madje edhe tingëllimin e fjalës « kthim »
Duke të joshur se kështu do të nisje një jetë tjetër

I trallisur nga krismat e gërshërëve
Që vringëllonte dora e Parkës
Ti the me vete :
A është e munduar të vazhdosh të jetosh
Pas një gjymtimi të tillë ?
Sidomos a është e mundur të mëtosh
Të jesh i njëjti njeri ?…

KËLYSHI I KUÇEDRËS

Një ditë lajmi mori dhenë : kuçedra
Kishte mbetur shtatzanë. Në mbarim
Të shtazanisë, kuçedra polli një këlysh.
Për çudinë e të gjithëve, kësaj here
Ajo nuk solli në jetë një kuçedrush
Por një qengj me të gjitha tiparet
E qengjit : me lesh të butë si mëndafsh,
Me sy që të vështronin me qashtëri
E me ëmbëlsi, me një zë të kristaltë
Që ua shkonte edhe zërave të engjëjve.
Të gjithë ata që e shikonin dhe e dëgjonin
Nuk reshtnin së duartrokituri e së brohorituri
Për qengjin që u dukej ca më i mrekullueshëm
Ngaqë atë e kishte pjellë kuçedra.

Ata nuk e merrnin dot me mend se
Sapo binte errësira, qengji i mrekullueshëm
Pjellë e kuçedrës sillej si një kuçedër e vërtetë :
Thante burime dhe lumenj, përpinte retë,
Kërkonte t’i blatoheshin viktima të pafajshme
Të cilat i përpinte në vend të barit e të luleve
Duke mos ditur gjë për jetën e dyfishtë
Që bënte qengji i mrekullueshëm
Idolatrët vazhdonin ta adhuronin, të duartrokisnin
E të brohorisnin : Aleluja ! Aleluja ! Aleluja !…

NË KOHËN E TË TJERËVE

Unë punoja për kohën
Madje i thosha me përkëdheli
Koha ime

Unë punoja për kohën
Por ajo as që donte t’ia dinte
Se ç’punë bëja unë

Për të unë isha thjesht një skllav
I mbërthyer me zinxhirë në bankën e galerës
I detyruar të lëvizë pareshtur remat

Koha që unë e quaja koha ime
Në të vërtetë ajo kishte qenë
Koha e të tjerëve

Këtë gjë e kuptova më mirë
Kur erdhi një kohë tjetër
Të cilën vazhdova ta quaja me të njëjtën verbëri
Koha ime

Ky qe vetëm një vetëmashtrim
Sepse edhe koha që erdhi
Vazhdoi të ishte ashtu siç kishte qenë përherë :
Koha e të tjerëve

Koha që kisha ëndërruar
Koha që kisha dëshiruar aq shumë
Ta quaja koha ime
Ajo kohë nuk erdhi kurrë

E vetmja rrugëdalje që më mbetej
Ishte të përpiqesha të jetoja
Në kohën e të tjerëve…

MISIONI I DASHURISË- Esé nga ATDHE GECI

Dashuria për atdheun nuk mund të gjykohet, as të dënohet. Ajo është e shenjtë, sepse buron nga thellësia e shpirtit dhe nga kujtesa e një populli. Dashuria për atdheun nuk pranon të mbyllet në heshtje dhe as të burgoset në pranga.
Ajo është e lirë si fjala, e fuqishme si e vërteta dhe e guximshme përballë çdo rreziku.
Dashuria për atdheun është fuqi e së vërtetës dhe guxim i ndërgjegjes. Ajo lind aty ku njeriu e ndien se toka mbi të cilën ka lindur nuk është vetëm një copë dheu, por kujtesë, gjak, gjuhë, histori dhe amanet.
E veçanta e kësaj dashurie qëndron në fuqinë e vullnetit dhe të ndërgjegjes së popullit, në gatishmërinë e tij për të qëndruar në këmbë dhe, kur koha e kërkon, për t’u flijuar për lirinë, dinjitetin dhe të drejtën e tij.
Në epokën tonë historike nuk kanë munguar furtunat, rrëbeshet dhe përpjekjet për ta zbehur dashurinë për atdheun. Por dashuria e vërtetë nuk shuhet nga stuhitë. Ajo bëhet më e fortë pikërisht atëherë kur atdheu dhe liria rrezikohen.
Një popull që e do atdheun nuk mund të rrijë i heshtur përballë padrejtësisë. Ai e ngre zërin kur duhet të flasë, qëndron kur duhet të qëndrojë dhe ecën përpara kur historia e thërret.
Dashuria për atdheun, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, mbart në vetvete natyrën e paqes, natyrën e qëndresës dhe natyrën e ndryshimeve të mëdha. nAjo është paqe kur drejtësia triumfon; është rebelim kur padrejtësia bëhet ligj; është ndryshim kur koha kërkon një fillim të ri.
Ajo është edhe mision i fisnikërimit: të pastrojë atë që është ndotur, të ngrejë atë që është rrëzuar, të rikthejë dinjitetin aty ku është cenuar dhe shpresën aty ku është shuar.
Dashuria për atdheun është fuqi e së vërtetës vetëm atëherë kur udhëhiqet nga njerëz të ditur, të drejtë, të ndërgjegjshëm dhe me duar të pastra. Sepse atdheu nuk kërkon vetëm fjalë të mëdha; ai kërkon përgjegjësi, sakrificë dhe besnikëri ndaj së vërtetës.
Shqiptarët e kanë këtë dashuri në zemër.
Prandaj, le t’i dalim zot atdheut, kujtesës dhe trojeve tona. Le ta mbajmë gjallë amanetin e brezave dhe ta përcjellim atë si një dritë nga një brez te tjetri.
Lavdi Pirros!
Lavdi Gjergj Kastriotit!
Lavdi Adem Jasharit!
Atdhe Geci

Një ditë do punojmë për PAPIN- Tregim i jetuar nga Përparim Hysi

Ky tregim është veç një fragment nga jeta ime. PAPI jam unë. Kështu më thërrisnin të gjitha ata që më njohin. Tërë jetës kam jetuar në fshat dhe profesioni im ka qenë mësues. Fshati ynë ka qenë goxha i madh dhe,ngaqë ishte sektor ferme, banorët e fshatit kishin përbërje hetorogjene. Fshati vetëm zgjedhës me të drejtë vote kish gati dy mijë vetë dhe dukej si një fshat “qytezë” ,aq më tepër që vetëm tri-katër kilometra e ndanin nga qyteti.  Bahkëfshatarët e mi,sado që kishin ardhur nga rrethe të ndyshme, kishin një shkuarje për t’u patur zili. Kurrë nuk pati grindje apo sherre. Kisha mbi 30-vjet që banoja familjarisht aty dhe mësues isha diku tjetër. Një ditë prej ditësh,më zgjodhën kryetar të organizatës së frontit dhe kjo detyrë,më hapi jo pak punë. Ishte puna që duhet të firmosje për çdo fatkeq  që kish punë me shtetin dhe,sidomos,për drejtësinë. Të them të drejtën,në fshat kishte dhe familje,me përbërje të keqe politike dhe drejtësia godiste dyfish.
Edhe,kur e mbaja “dorën” për biografinë,shpejtonin dhe denonconin,se”mbroja armiqtë  e partisë”. Më thërrisnin ata,të ardhur nga rrrethi,dhe mbroja veten,se unë isha i ardhur në fshat dhe nuk i njihja. Kish ndodhur që bëhej gjyqi hapur për iks-person dhe unë,kur merrja fjalën,bëhesha si “avokat mbrojtës”të fatkeqit,edhe,kur qe nga ata “me ftomë” në biografi. I kisha shpëtuar nga burgu dy burra dhe një djalë të ri,por “hafija” dha alarmin: të tërë i shpëtoi PAPI!!!
Një ditë tjetër,një djalë i ri,nga ata me”ftomë”,për të marrë hakën e babait,bën vetëgjyqësi: qëllon me dru në kokë një burrë që i kish plagosur baban. Sado që e bëri burgun,djali nuk ia harroi.Erdhi policia e vunë në pranga dhe që të nesërmen,erdhën dhe i bën gjyqin para popullit. Ekipii i gjykimit ishte nga Gjykata Popullore e FIERIT.Gjykatse qe V…

dhe prokuror N… I pandehuri e pranoi vetgjyqësinë dhe ,ndërsa prokurori, po bënte pretencën(salla qe plot e përplot me njerëz).befas Gjykatsja,kërceu nga karikja si me sustë dhe u lëshua nga salla,me një fjalor prej rrugaçeje:- More,iu drejtua,njërit aty,pas kurrizit tim, si guxon e pi cigare ti në sallën e gjyqit. -A e di se ç’të bëj apo,jo?  Tani të vë hekurat!!! More,paskeni qenë të gjthë të poshtër!!! Shkumonte nga goja sikur ta kish ngrënë zegali. Prita sa u ul dhe,në  moment,mendova:këtu,mu në rreshtin e parrë është përgjegjësi i sektorit, ështe sekretari i organizatës së partisë;kryetari i këshillit dhe,pa dyshim,do flain,por gëk-mëk.
-Shoqa gjyqtare,ulëriva nga mezi i sallës, na ke”përkëdhelur”shumë. As dje dhe as sot,nuk ka ndodhur  që një i zgjedhur me votat e popullit,të quajë një fsha të poshtër.  Ky fshat ka komunistë dhe,veç  tyre,plot njerëz të ndershëm.Për ty ne do blejmë një palë gërshërë për të ta shkurtuar gjuhën.Kërceu ajo dhe pas saj,prokurori.
Prokurorit i thashë:-Ju përfaqësonin shtetin dhe nuk kemi punë me ty: Punën e kemi me këtë që,saj dhe votës sonë,qendron në atë karrike. Salla po gumëzhinte,nën zë. Gjyqi u ndërpre. E morën me pranga të pandehurin dhe ekipi iku.
                                                                      *
Të nesërmen,në FIER, njëri nga gjykatësit(unë i njihja që të gjithë),m’u afrua dhe më tha:- I ke hyrë detit në këmbë.Ke prishur gjyqin dhe do veshë në burg.
Unë:-Jo vetëm nuk do vete në burg,por i thuaj asaj ,koleges, që të më blejë një kostum,se e mësova se si të sillet me popullin.
Pas një jave,u hap gjyqi prapë.  Në ekip,vet kryeari i Gjyktës  V.K., gjyqtarja V. dhe prolurori N.
Salla përsëri  plot,por fjalën e mori Kryetari.
Në “vija të tasha”: – Kemi ardhur ta ribëjmë gjyqin,se radhën tjetër, një arsimtar ka replikar me gjyqtaren dhe gjyqi u ndërpre,
Në radhë të parë,arsimtari që replikoj me gjyqtaren, jam unë që quhem Përpasrim  Hysi.Por,ju lutem.shoku  Kryetar i Gjykatës,çfarë ka bërë ajo  dhe pse kam  ndërhyrë unë?
-Dëgjo ti dhe ta marrë veh gjithë populli. Çdo fjalë që i ke thënë gjyqtares, sipas dhe dëshmisë së prokurorit, u analizua në komitetin e partisë tek vet sekretarja e parë shoqa N…   Sikur një fjalë të kishe shkelur ligjin,sot do ishe pas hekurave. Jo vetëm kaq:Shoqa N… ka lënë porosi që gjyqtarja të kërkojë falje dhe,po gjykoi populli, t’i hiqet imuniteti.
Unë:- Nuk jam për heqje imunitete se si grua e familjare kushedi seç stres ka patur. Salla duartrokiti dhe që të nesërmen,në një nga brigadat, ngrihet DALIPI dhe u thotë:-Sot këtë ditëpune do punojmë për PAPIN!!!
*
Tha DAILPI dhe fjaja mori dhenë.  DALIPI (e kujtoj me mirënjohje. se është ndarë nga jeta), e bëri propzimin vetëm për mirënjohje,por i “ligu” i kishte veshlt ngritur dhe,pai gjeti ca të porsaardhur në fshat,bëri një letër,u mori firmat(qe me pozitë në fshat) dhe nisi letrën me 19 firma drejt e në Qendror,ku,siç u lexua në letër para popullit,unë isha me”ftomë në biografi” dhe drejtoja organizatën e frontit dhe ja:Dalipi propzon një ditë pine për PAPIN,kur ne vetëm për partinë e komadantin falim ditëpune e deri jetën.
    Alarm lart dhe niset i dërguari nga Tirana,sekretari që mbulon organizatat nga rrrethi  dhe kryetari Frontit në rreth. Përsëri mbledhje, Ngrihet kryetari i rrethit dhe thotë:- Kemi ardhur të dëgjojmë fjalnë tuaj,si e njihn i Përparim Hysin që e kini zgjedhur,kryetar të frontit. Ngrihen folësit një nga një,tek flain vetëm fjalë të mira,askush nuk prek plagën: me”ftomë në biografi”. Të dërguarëve,nuk po u rrinte kapeja mirë. E pashë të dërguarin nga Tirana,tek shfeltonte dojsjen time dhe sikur po “i kruhej” fyti. U ngrita unë dhe thashë:- I falnderoj të gjithë folësit,po sa e njoh Përparim Hysin, askush nuk  e njeh më mirë. Unë kam një xhaxha të pushkatuar nga partia në vitin dhe gjyshin nga nëna,e kam patur kulak. Nderi e mirënjohja ime shkon për partinë që më ka bërë mësues dhe,po të më dëgjojnë mua, këta,bashkëfshatarët e mi,të zgjedhin një tjetër si kryetar. Sa u ula unë,u ngrit dhe i deleguari që tha:-E ndoqa fjalën dhe,tek shfletoja dosjen e tij,asgjë nuk i ka fshehur partisë,por pyetja është:- A jini dakord që,siç propozoi dhe vet,mos jetë më kryetar. Ata njëzëri:-Ne PAPIN duam. Dhe mbeta prapë kryetar.  Dhe ekipi sikur u larguai lehtësur,se këtë”ftomën në biografi” ia kisha treguar dhe Enver Hoxhës në vitin 1968,kur më pushuan nga arsimi.U ktheva në arsim me porosi të tij. Sado kishin kaluar rretth  15-vjet,por”plaga” rrinte hapur. Të tjera “kusure” më ndoqën nga pas. Sidoqoftë,kam dalë gjithomon fitues në këto beteja të jetës.
                                                    Tiranë,9 shtator 2026

SPIRANCË E (pa) KËPUTUR – Poe-prozë nga RUZHDI GOLE

-Shpejt po na e kthen, … po na e kthen fjalën, (a kështu më duket mua ?.) Shpejt po na ikën, pak nga pak … !
Dhe kur ? Në muajin tonë të trembëdhjetë. Muaji i trembëdhjetë : fatlum për të lumët, për të mpakurit fatkeq?  Eh, i trembëdhjeti muaj, frymëzim me pakicë, pakicë për t’u gëzuar.
-Zem’rak, ç’është kjo romantikë ? Paska muaj të trembëdhjetë? Në cilin kalendar, në cilën tokë? Në ndonjë retorikë? Në ndonjë ishull me flutura e bletë?
-Lëre ishullin me bletë dhe flutura. Është larg. Atje s’ka as bastun dhe as kukulla. Këtu, të them, përqark shpejt rrotullohet gjembi i trembëdhjetë. Braktisja … ne vet. Motet ndrrojnë nga sot.                                        -Në të trembëdhjetin mot?
-Po, moti i trembëdhjetë na e çukit e ngadaltë na e hidhëron paksa mëlçinë.
-Mpakemi, e besoj, diç jetimë. Jetimë rreth e rreth, gërhimat, tespiet për muajin e trembëdhjetë. Po kukullat ç’na duhen? Luajmë kukullash ne-thinjoshët pak, shpesh ?
– Biri ynë, po na ikën shpejt…
-Eshtë tutje, udhë të tjera shkel nxitimthi, vrapshëm? Ç’është kjo ikje… e afërt … e largët ?
-Për mua : zjarrmi e ngrirë.
-Si tespiet? Si kukullat, o Zem’rak ?
-Si zemra…me gunga. Me furtuna më
shumë, me rrahje më pak.
-Po, e vërtetë.
Jeta na ndan edhe dy hapa larg.
-M’u kujtua Pirro Dollani. Njeriu (tej) i oqeanit.
-Jetonte në oqean?
Jo, o Fluturak, tek shumë njerëz, ai jetonte në shpirt. Plot valë nga  dituria dhe nga mirësia plot valë. Veç në përtaci ishte shëndetlig. Thonë se ia dogjën kurmin. Hiri i tij ende xixon. Hiri i një të pagjumi.
-Pse t’u kujtua Dollani? Unë i kam ndi  veç emrin në qytetin tonë antik. Ti je rrit  me të, e ke pasur mik?
-Mik nuk e kisha këtu. Veç kur iku në tjetër vend, vend me tjetër gjuhë. Rrallë shiheshim, bashkë jetonim shpesh me Libra në të dymbëdhjetë muajt. Dhe fare
pak me sëmundjen prej shprese në muajin e trembëdhjetë.
-Të besoj, Miqësia anije nuk lundron vetëm një det, s”ka vetëm një port.
-Miqësia pushon spirancë. Kur tjetri, ah tjetri, hirnon jetëgjatë…
-Fluturak, o udhëtar, të largëtit shpesh t’ecin përkrah, të tutë me të keq e pa të keq, të largohen paksa ..
Im bir jeton përkrah meje, përhera përkrah meje afër, larg ndonjëherë, në vende të tjera, me tjetër spirancë.
I gjithi zemër. Asnjëherë më pak…

“NË KOHËN E BRITMËS” – ROMAN I VISAR ZHITIT. “RILINDJET” E VDEKURA TË SHQIPËRISË DHE PROTESTA… Nga Era Xhaferaj

In a gentle way, you can shake the world…”

Mahatma Gandhi

Vizualizim i historisë, akt proteste dhe manifest, psikanalizë dhe zbërthim neurozash që prodhojnë sjellje të caktuara, lente e realitetit sot, i ri por me përmbajtje të vjetër, një shtjellim që vazhdon të rezonojë me jetën dhe eksperiencën e shqiptarëve është romani “Në kohën e britmës” i Visar Zhitit. Në Shqipërinë tonë, të përhershmen, të fiksuarën, të ngurtën, për një komb, një atdhe, një territor, shpesh i konceptuar si “ndëshkim”, për ekzistencën njerëzore që përfshin kuriozitetin dhe reflektimin. Është ftesë për të ushtruar vetveten, kapacitetin tonë për të dëshifruar atë, vullnetin për t’i kërkuar ndërgjegjes sonë të mbështesë cilësitë e veta, virtytet universale dhe për t’u angazhuar dhe gjeneruar vendime autentike; ftesë për përgjegjësi dhe përqafuar pa frikë peshën e ankthit që gjeneron përgjegjësia… ftesë për t’i rezistuar përfshirjes në forma vetmashtrimi, çfarë Sartri do quante “mauvaise foi”…është udhëzues ndërveprimi me njëri tjetrin, si një ekzistencë me tjetrën. Sugjerim dashurie, i vetmi emocion që forcon, amplifikon, stimulon memorien dhe i mposht harresën. Është kujtesë, rrugëtim drejt epokës së dinjitetit, për të mos parë instinktin e mbijetesës si bazën e gjithë shqisave, përkundrazi të vlerësojmë të gjitha shqisat si pasurinë tonë vërtetë.

Britma plazmohet në trajta të ndryshme dhe shfaqet si gjuhë, mendim, prezencë në mungesë, imazh, njësi matëse, sekuencë, emocion, reflektim, heshtje, pritje, rutinë, fantazi, pasqyrë, realitet, profeci, proces, ndërgjegje, …britma si vdekja, fjala, përgjegjësia…Britma është heshtja që lartëson, të shfaqemi duke u zhdukur, është udhëzues drejt lirisë së ndërgjegjes, drejt kërkimit dhe rikthimit tek vetvetja. “Në kohën e britmës” është një shpërthim krijues, nuk njeh përcaktim kufijsh kohorë dhe rilexohet pafundësisht nga kënde të ndryshme. Në këtë kuptim shërben dhe si manual hermeneutik drejt botëkuptimeve konkurruese dhe parimeve organizative që përshkojnë mendësinë e shtetit shqiptar. Një që qëndron i palëvizsshëm prej më shumë se 80 vjet dhe lidhet me kultin e personalitetit, të “diktatorit të suksesshëm”, totalitarizmin dhe egocentrizmin, ku vlera përfundimtare është shkatërrimi i gjithçkaje, institucioneve, besimit… një sistem që ndërron forma, me cilësi vetëtransformuese, vigjilent dhe çdo herë i përgatitur për çastin e tejngopjes dhe demaskimit ndaj subjekteve të tij, duke konvertuar format e asgjësimit në shkatërrim të fabrikave, pronës private, ku distancimi emocional dhe “ostrakizmi”, kultura e përjashtimit, e diskriminimit dhe diskretitimit sistemik vijojnë pandërprerë, si forma moderne e moderuar dhe e sublimuar e sakrificës njerëzore, e cila ka zëvendësuar internimin, asgjësimin fizik dhe burgun politik. “Në kohën e britmës” lexohet si dritare ndërgjegjësimi për të formuluar një botëkuptim të pastër dhe një shpresë të freskët, më të pjekur, të matur, të përmirësuar, të qëndrueshme dhe mbi të gjitha të vetëdijshme… vjen si thirrje për kujdes dhe vigjilencë, si paralajmërim dhe si fllad që fshikullon ndjenjën e nderit.

Sot protestojmë dhe në këtë frymë reagimi “Në kohën e britmës” si një instrument i besueshëm rrëfimi, arrin të ngacmojë arsyen dhe krijojë pikëpyetje të qenësishme: nëse pluralizmi dhe demokracia që lindi me të, shpëtoi vendin nga autoritarizmi dhe diktatura, apo shkatërroi tërësisht shpirtin e tij, duke prodhuar krizën masive të identitetit që po përjetojmë? A po shtrohen themelet e një diktature të re, më të qëndrueshme, të reformuar, për të qenë e pranueshme ndaj kushteve dhe klimës së re botërore, duke çuar të ardhmen e vendit drejt vetëvrasjes së pashmangshme?

Sepse në epokën e “modernizimit” dhe “pasurimit” të leksikut teknik të politikës së mplakur shqiptare me fjalë joshëse të tipit algoritëm apo platforma sociale, blockchain, startup, etj., me qëllimin e dyfishtë të dhënies së idesë së pakufishmërisë, universalitetit dhe përshtatjes të së vjetrës me hapin dhe terminologjinë e kohës nga një anë; dhe për të relativizuar përmbajten e kërkesave që lidhen me reagimet kundër politikës 36 vjeçare nga ana tjetër, relativizim i oponencës ndaj sistemit politik të drejtuar nga nepotizmi, mediokracia, emocionet afatshkurtra, rastësia dhe turmat, në vend të vizionit për krijimin e institucioneve të qëndrueshme, natyrshëm panorama kthjellohet për të parë se korrupsioni nuk është thjesht gabim sistemi. Korrupsioni është Sistemi. Se korrupsioni është një ide e institucionalizuar dhe e normalizuar, që ka dëmtuar tërësisht konceptin e meritës, konceptin e punës, madje ka vrarë nervin e punës, thelbin e individit, duke çuar në hemorragji intelektuale. Dhe kjo hemorragji intelektuale, që është zgjatim i atij eksodi fillestar,“eksodit të urrejtjes”, siç e përcakton V. Zhiti në librin e tij, valën emigruese që shoqëroi protestat për shembjen e Komunizmit dhe emigracionin, është pa dyshim fjala e njerëzve. Është ajo fjalë dhe ai qëndrim që ka delegjimituar qeveritë shqiptare pas viteve ’90 duke i kthyer automatikisht në qeveri pakice dhe duke mposhtur çdo pretendim për vakanca drejtimi. Ikja pa kthim, refuzimi për të jetuar në teatrin e politikës shqiptare, në një vend ku “njohjet” kanë më tepër rëndësi se “njohuritë” që zotëron, lidhjet më tepër se kompetenca dhe profesionalizmi. Fjala është vota e të ikurve dhe qëndrestarëve, e njerëzve që mund të ndreqnin situatën. Dhe një vend dhe ekonomi që atrofizon, shmang dhe humbet talentet më të mira, a ka më shpresë? Një zgjidhje?

Po! Ndryshim dhe refuzim për të sakrifikuar mendjen dhe aftësinë për të këmbëngulur dhe jetuar në vend, kultivimi i ndjenjës së përkatësisë në vendin tonë, mos të përdorim lirinë për të zgjedhur skllavëri, për t’u rilidhur në besë të pabesë dhe ofenduese për pritshmëritë tona. Në kohë protestash, në kohën e britmës, harxhimi i energjive në dilema vakancash, që plotësohen në momentin e arritjes së ndryshimit, ndryshimit të vërtetë dhe esencial, është kohë e humbur.

Ndryshimi është sinonimi më i bukur i vetë jetës, sinonimi më i bukur i Shqipërisë së re. Sepse çdo veprim që korrupton thelbin dhe qenien tonë të vërtetë na çon drejt errësirës dhe dështimit. Dhe siç shprehet dhe Zhiti, “është e rëndë të kesh dështuar, jo në jetë, ashtu jemi gati të gjithë, por të kesh dështuar, së jetuari”.

Fragmente nga romani

“Në kohën e Britmës”, – Visar Zhiti.

(…)

…asgjë s’është e qartë, asgjë s’është e vërtetë, as e sigurt, as nuk dihet, as si është. Të krijohet mjedisi i “gjithçka-asgjësë”, klima e “pafrymësisë”, s’gjej dot fjalë, se janë dukuri të paqena, “antirisi”, a kështu ka qenë gjithmonë, të mos dihet ç’ndodh dhe le të thuhen më të pamundurat, të bëhen e askush të mos mbajë përgjegjësi. Ky është qëllimi: Mosqëllimi.

Të mos ketë përgjigje. Asgjëkundi! As heshtje. Zhurmë po. Pse? S’e di…Pse? Ngaqë e di…Ja, kthehemi pak pas, flasim për të tjerët, shkoqur. Për ato që njohim. Afrëdita, p.sh. u iku atyre që e shkolluan, po ndërronin, s’ishin më si dikur, qenë bërë liberalë, hapën burgjet, vendosën pluralizmin, që duan ta bëjnë Shqipërinë si gjithë Evropa, pikërisht ata që e bënë veçan Evropës, provincë, burg, ferr, vend nga ku të vjen vetëm të ikësh. Afërdita duhet të paguante ç’mori.

Të na shërbente sipas kushteve të reja. Nëse ajo donte të ikte nga ne, atëherë le të ikë, e ndihmojmë as mos të kthehet. S’deshi me ambasadat, siç bëri Evgjeni i saj, ai mirë bëri ashtu, ashtu deshëm dhe ne. Më pas ishte vonë. Se, kush nuk është me ne, humbet, apo jo Afrëdita? Ku je, e di?

Kurse Gjergji, me të gjithë ata që dolën nga burgjet po besonin se erdhi kohë tjetër, sistem tjetër, vërtet ashtu ishte, nuk shtyhej më, por jo me njerëz të tjerë, jemi ata që ishim. Ne i futëm ata në burgun tonë, ata na futën në ëndrrën e tyre, por e pranojmë, jemi në atë që ata ëndërruan. Ta themi hapur, e duam ëndrrën e tyre, por pa ata. Ata s’duhen më realisht, pengojnë. Mbase si fantazma. S’i asgjëson dot, thamë, jo plojë më, se na kthehet në të kundërt. T’i mburrim në përgjithësi si pararendës, por secilin ta braktisim, ta harrojmë. Të lihen mënjanë, por mund të ngrihen, si në kryengritjet e tyre në burgjet e Spaçit e të Qafë-Barit, atëherë t’i shtypim…jo, jo, gabim, s’na lejohet, por t’i zhbëjmë dalëngadalë, me marifet, t’i ndajmë nëpër shoqata, p.sh., t’u premtohet dëmshpërblimi së pari, por të mos dëmshpërblehen, se forcohen, ja një variant. Tjetër, as falje mos të kërkohet, se pastaj duhet folur për fajtorët. Mundësisht të ikin sa më shumë nga ata, të flaken, gjoja që të prekin ëndrrën në Perëndim; ç’mbetet, jo t’i vrasim, jo, në asnjë mënyrë, të përdorim metoda sa më të pabesa, por dhe banale, mosmirënjohjen, depresonalizimin, nëpërkëmbjen, t’u hapim dosjet atyre dhe jo këtyre që u hapën dosje atyre…T’i implikojmë. Të mos i lëmë të na futen. Të ndihen të huaj, me komplekse faji, mëkatarë…

Kë kërkoni ju? (…)…Kanë vajtuar atje ku do të donin, sot jemi të lirë.

Po, kanë vajtur atje ku do të donin, por kush donte dhe ku?

Atë s’e di unë. Dokumente të tyre s’ka, as dosje, janë djegur në ’91, më ’97, në shekullin e kaluar, tani është shekulli i kompjuterave, s’kam asgjë këtu, as burg, ç’gjyq mund të bësh, me kë, për kë, të kesh qenë në burg është turp, ja po ta them unë.

Turpi është i atyre që futnin nëpër burgje.

Zotëri, politikë bën ti këtu? Shko e fol në parlament, kur qenke kaq i zoti, kaloi ajo kohë, i takojnë së shkuarës, shiko nga e ardhmja, ej, bëj ndonjë biznes, apo s’të duhen para ty?

Zhbërja, thashë, kjo është më e efekteshme. Të veprojë mekanizmi i zhbërjes kudo dhe tek të gjitha. Tani zhbëhen bëma, emra, martirë, kuvende, tempuj, epika, mos jepni lule, vetëm para borxh, kredi, interes, piramida financiare, shkatërrim, harresë, fushata elektorale, protesta, të nisë nga e para, me ne të parët, asgjë të mos nisë, të mbetemi siç ishim.

Eh, ka pasur diktaturë, le të thuhet, po të duan, por pa diktatorë, ata të mos preken. Të burgosur ishim të gjithë në burgun-atdhe, të thuhet, dhe të burgosurit politikë të zbëhen dhe, për rrjedhojë, zhbëhen dhe burgjet, s’e di a ka pasur të tilla. Ka pasur, ka pasur dhe të tmerrshme. Po bashkë ishim brenda telave me gjemba, njësoj…

Ti do të më thuash mua persekutor, por unë të nxjerr dëshminë e persekutimit, kam vuajtur sa ti, në mos më shumë. Të kam ruajtur, kam bërë policin, spiunin, në terr, në të ftohtë…

Dhe mos harroni, ju keni qenë bashkëpunëtorë me ne në ferr, keni kallëzuar njëri tjetrin. S’është e vërtetë! E bëjmë ne të vërtetë. E vërteta bëhet, nuk është. Në burg ju ishit më të qetë se ne, se s’kishit më frikë se mund të dënoheshit, s’kishte ku t’ju çonin më keq, por unë, ne, që jetonim në ankth me vite. Po ju shpikët ridënimet, vdekjet pa arkivol, pa varr. Sidoqoftë persekutori është më i persekutuar se i persekutuari. Mbase në Biblën që ju dogjët. E shikon sa e ngatërruar është kjo? Pra, më mirë ta mbyllim, pa kujtesë, pa brerje ndërgjegjeje, pa përgjegjësi. Ndërkohë ne jemi më të dijshëm se ju. Kush, cilët? Në dhunë e tortura, po, dini më shumë….Tani, ashtu si armën me silenciator, përdorni dhe heshtjen. Vrisni me harresë.

Përditë bëhen krime të vogla ordinere, megjithëse krimi s’është kurrë i vogël, që të harrohet krimi i madh, gjeneral, ku u masakrua jeta e një populli të tërë, me të gjallë e me të vdekur. Dhe bashkë me këtë, të harrohen ata që e kryen. Që të ndodhë kjo, s’duhet të kujtohet krimi, pra s’duhet të jenë njerëzit që e kanë pësuar atë dhe që të mund ta dëshmojnë. Se krimi mbetet. Atëherë ta përziejmë me baltë.

Ti thua se burgu s’ishte fundi, kishte prapë pas tij për të gjallin. As me pushkatim nuk mbyllet gjithçka, se fillon jeta pas vdekjes. Jo, ne na duhet tani thelbi i mosthelbit, e thamë, moskujtesa e zezë. Vetëm balta i afrohet lëndës së saj. Baltë atëherë, të vjetër, të re, atë të marrim në ndihmë. Pa vdekjen. Jo duke përbaltur gjithçka të të gjallëve, por për ta shndërruar baltën në të tërën. Sikur s’ka qenë asgjë më parë….Gropat masive të harresës. Që pastaj të thonë: asgjë s’ka ndodhur këtu, as e mirë, as e keqe, as e bukur, as e shëmtuar. S’ka gjurmë.

As ka ikur, as ka ardhur e as është ndalur.

Po ç’krim thua ti, shikoje, kjo është thjesht baltë, pa kujtesë, pa asnjë mesazh. Balta e vendit tënd, duaje…

***

Eh, po ndërroheshin kohët, shekull tjetër, mijëvjeçar tjetër, sistem tjetër. Duheshin martirë. Kurbane…E kundërta e tyre…Simboli apo kundërsimboli? Kujtesa apo harresa? Njërin do ta kenë përzgjedhur si ish të burgosur politik, për t’u thënë të gjithëve që ata, pikërisht ata, tani pengonin, se ndryshim nuk do të thoshte përmbysje dhe përmbysje nuk do të thoshte ndryshim, prapë jemi të fortë dhe shteti është i yni. Na duhet ëndrra e tyre, pra ata le të bëhen ëndërr. Mundësisht të paqenë. Pak janë zhdukur, më thuaj? Si në Kosovë edhe këtu. Janë vrarë e mbytur. Edhe lufta s’bën kërdi më shumë…

Mesazhe gjithëkohore në 25 Vjetorin tragjik- Nga FANI BUFI, BOSTON

         

Kjo javë shënon pikën kulmore të ceremonive përkujtimore me rastin e 25 vjetorit të sulmit  terrorist mbi kullat binjake në Nju Jork më 11 Shtator 2001. Vend të rëndësishëm në veprimtaritë e rastit po zenë edhe kujtimet, botimet, filmat dhe ekspozitat fotografike në nderim të kujtimit të 2981 viktimave, ndërmjet të cilëve edhe tre shqiptarë.

Padyshim që këtu spikat edhe romani i ikonës së Radiotelevizionit tonë, shkrimtarit Skifter Këlliçi ”Shtatori i gjëmës së madhe”. I botuar me titullin ” Disastrous September” edhe në SHBA dhe vitin e kaluar në Romë me titullin ” Settembre disastroso” nga  Botuesi ”Veliero” ai është i pari dhe deri tani i vetmi roman në letërsinë ndërkombëtare që zbërthen dinamikën e asaj tragjedie, që tregon se si terroristët rrëmbyen dy avionë dhe me ta goditën kullat binjake në Nju Jork; dhe  kjo natyrisht ia shton akoma më shumë vlerat dhe meritat romanit.

Siç e ka treguar më parë vetë autori, këtu  ka ndikuar edhe fakti që  mëngjesin e asaj dite të zezë, ai me bashkëshorten e ndjerë ishin në Aeroportin e Bostonit, ku punonin si roje sigurie në pikën e kontrollit të kalimit të pasagjerëve; pikërisht aty kishin kaluar pa u vënë re kryeterroristët që kryen aktin makabër, gjë të cilën ai e mësoi pak orë më vonë, kur u dha lajmi në median amerikane dhe atë botërore.

Ashtu siç ka shkruar muajt e fundit në disa të përditshme dhe revista italiane shkrimtarja dhe kritikja letrare Francesca Gallello, “Shtatori Fatkeq ndërthur trillimin dhe kujtesën. Përmes personazheve imagjinarë dhe rindërtimeve narrative, Këlliçi na udhëheq mes hijeve të Kullave Binjake, brenda çasteve pezull të një dite që ndryshoi botën. Zëri i gazetarit Sokol Kama bëhet simbol i detyrës morale për të treguar, duke u dhënë dinjitet viktimave dhe duke e kthyer heshtjen në dëshmi”.

Te “Shtatori i gjëmës së madhe” Skifter Këlliçi i shmanget ndërtimit tradicional të romaneve, si hyrja, pikëlidhja, zhvillimi, pika kulmore, zgjidhja dhe mbyllja. Ai na dhuron një strukturë krejt ndryshe, me pikëlidhje të menjëhershme, zhvillimin e ngjarjeve në lartësinë e pikës kulmore, si në një rrafshnaltë tejet të zgjatur.

Grafiku i emocioneve përngjan me atë të një fjalie pyetëse që përfundon me intonacion të lartë. Romani me një narrativë të ndërtuar thjesht i ngjan grafikut të një fjalie dëftore që fillon me intonacion të ulët, arrin pikën kulmore dhe pastaj bie gjatë mbylljes. Në roman lexuesi përjeton tmerret e pikës kulmore dhe pret derisa të bien tensionet me emocione të larta, por kjo nuk ndodh dhe ato mbeten në rrafshnaltën e pikës kulmore. Zhvillimet i mbajnë pikat kulminante të emocioneve.  Kompozicioni i ndërlikuar bën që lexuesi të përjetojë emocione të forta  deri në fund të romanit. Ndërkohë, të papriturat e shumta dhe të ndërlikuara shtojnë interesin për të mësuar se çfarë do të ndodhë pas çdo çasti intrigues dhe se ç’zgjidhje do t’u japë autori ngjarjeve të reja shqetësuese me mëdyshjet e personazheve.

 

Nivel i narrativës

 

Ashtu siç e përmend në Parathënien e vet  kritikja italiane Gallello: “Në këtë roman çdo fjalë është e përzgjedhur me kujdes, çdo skenë është ndërtuar për të lënë gjurmë që  nuk kufizohet vetëm në rrëfenja por denoncon”.

Autori ka përdorur një narrativë të nivelit të lartë dhe të tensionuar artistike të realizuar përmes sinonimeve, fjalëve të reja dhe ndërtimit sintaksor të fjalisë. Ligjërimi i përpiktë i personazheve të trevave të shqiptarisë bën edhe lokalizimin historik dhe trevëror. Ligjërimi i Marko Muzakës për historinë e dhimbshme të shqiptarëve, pas vdekjes  së Skënderbeut na çon në More dhe në kolonitë arbëreshe në Itali. Po ashtu tregimet e Besmirit nga Kosova që lidhet me Martën nga Mali i Zi, na njohin me  luftën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, për t’i shpëtuar genocidit serbomalazez.

Endjet nëpër Kosovë, Shqipëri, Greqi, Itali dhe Amerikë janë përshkruar me fjalor të pasur dhe me figuracion artistik; ndërkohë që përdorimi i fjalëve krahinore në të dy dialektet jep një tablo të gjallë të zgjuarësisë, guximit, papërkulshmërisë përpara çdo vështirësie, mbajtjen gjallë të dashurisë për vendlindjen, me shpresën e madhe se një ditë do të kthehen  në vendlindjen e dashur.

 

Prurje dhe personazhe përfaqësuese

 

Siç është shprehur edhe kritika letrare,  ky roman nuk kufizohet në rrëfimin e 11 shtatorit: ai mishëron një mozaik jetësh, emocionesh dhe kulturash që bashkohen në një moment tragjedie globale. Romanit i japin  një frymëmarrje mbarë kombëtare edhe prurjet e personazheve tejet veprues në jetën e tyre në etapa të ndryshme historike brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Subjekti i romanit në tërësinë e vet është realizuar nëpërmjet telereporterit Stivi Ferguson, si personazh lidhës dhe përçues i veprimtarisë së dy shqiptarëve. Në fakt, veprimtaria dhe historia vetjake e personazheve shpalos historinë e dhimbshme në kohë të ndryshme, përfshirë edhe periudhën  e monizmit dhe të demokracisë në Shqipëri. Nga ana tjetër, Zhaklina jepet me nota dhe tone tepër të qytetëruara,  si punonjëse e përkushtuar që nxit dhe u bën jehonë veprimeve të personazheve.

Përpjekja për të realizuar një dokumentar mban gjallë gjithë zhvillimin e subjektit. Përjetimet e Zhaklinës në punë, në jetën shoqërore dhe atë dashurore shtojnë emocionet, ndërkohë që edhe çastet e bisedave bëhen më gazmore dhe të prekshme. Falë përjetimeve të saj, lexuesi njihet dhe përjeton tmerret e fundit tragjike. Një kundërvënie e padëshiruar: dasëm-vdekje, anti-tezë tepër e dhimbshme, tragjike.

Nëpërmjet personazhit arbëresh Marko Muzaka njihemi me historinë e dhimbshme të shqiptarëve të mërguar pas vdekjes së Skënderbeut. Kujtesa dhe ndjenjat e forta të dhimbjes për ato endje pa fund për shkak të persekutimit e mbajnë  gjallë  dhe e përçojnë atdhetarinë  brez pas brezi.

Besimi nga Kosova me rrëfimet e tij emocionalisht të dhimbshme shpalos egërsinë e genocidit serb që synonte spastrimin etnik të trevave të Kosovës me popullsi shqiptare. Shtegtimi i dhimbshëm i Besimit drejt Shqipërisë, i mbushur me zhgënjim në Jugosllavi, me besim se në Shqipëri do merrnin fund vuajtjet, nuk i dha kënaqësi, madje zhgënjimi në Shqipëri i dha goditjen më të madhe. Lidhja e Besmirit me Martën, vajzë nga Mali i Zi, i jep mundësi autorit, Skifter Këlliçi, të njehsojë mendimin famëkeq të shpopullimit të trevave shqiptare edhe në Mal të Zi.  Shpërnguljet dhe degëdisjet e shqiptarëve nga trevat e tyre historike përshkruhen me një ligjërim të pasur në fjalor, me fjalë të reja dhe sinonime me kuptime të larmishme.

Vlen të theksohet se në ligjërimet e personazheve, shkrimtari  Këlliçi, tregon kujdes për fjalorin krahinor, që romani të përfshijë të gjitha trevat e shqiptarisë. Besim Istrefi nga Prishtina, Rrok Camaj nga Gruda, Marko Muzaka arbëresh, gazetari Sokol Kama nga Tirana etj janë prurje  të cilat mbështetin temën shqiptaro-amerikane kushtuar ngjarjes gjëmëmadhe të 11 shtatorit 2001.

 

Befasime emocionale

 

Vlerë tjetër e shtuar e romanit është se aty ka shumë të papritura. Një ndër to është historia e  Steve dhe Zhaklinës. Siç pohon kritikja Francesca Gallello “Historia e tyre e ndërprerë në prag të martesës bëhet simbol i gjithë jetëve të ndërprera”. Të papriturat në roman sjellin emocione të shumta, të cilat të nxitin të vazhdosh leximin për të përjetuar e njohur sfidat për çdo ngjarje. E papritura prish humorin, qetësinë dhe rrjedhshmërinë e çastit, shton dyshimin, trishtimin, frikën se diçka nuk po ecën. Çuditërisht, dyshimet e personazheve si Sokoli dhe Fetia gjatë kontrollit të pranimit të udhëtarëve shkaktojnë përplasje me Përgjegjësin e tyre. Ky i fundit interesohet vetëm për imazhin e mirë të kompanisë dhe nuk do tia dijë për rreziqet që u kanosen udhëtarëve. Ai jo vetëm nuk shqetësohet nga informacioni që merr, por i kërcënon ata  për pushim nga puna. Në kulmin  e gëzimit dhe të haresë, kur po ngrihej dolli për dasmën e Stivit me Zhaklinën, gjatë fluturimit në avion, ndodh e papritura makabre: kryhet sulmi i egër terrorist. Çdo gjë përmbyset në mënyrë katastrofale. Kur pasagjerët të shtangur dhe tronditur kërkonin të dinin se çfarë po ndodhte, ata u gjendën përballë thikave dhe shisheve me spray djegës. Krejt papritur, kënaqësisë së udhëtimit dhe dollive për dasmën e pritshme iu shfaq tmerri për jetë a vdekje. Këto dhe të papritura të tjera krijojnë drama shpirtërore tepër të dhimbshme.

 

Mungoi toleranca Zero

 

Romani tregon se një shkak tjetër që solli gjëmën e madhe  ishte pakujdesia dhe mosvlerësimi sa duhet i Rregullores lidhur me  pranimin e  sendeve të lejueshme të udhëtarëve në pikën e kontrollit. Toleranca zero e domosdoshme në të tilla raste ishte e munguara e madhe në atë 11 Shtator tragjik. Kontrollorët vërenin se futeshin brisqe jo më të mëdhenj se sa fotodokumenti dhe shishe erëmbajtëse që mund të shkaktonin viktima. Dyshimet e Sokolit, të përshkruara me një hamendësim të rrezikshëm, nxjerrin në pah zgjuarësinë në vlerësimin e mjeteve me të cilat mund të abuzohej dhe tregojnë korrektësi në kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë. Mangësitë e Rregullores përshkruhen në mendimet dhe dyshimet e kontrollorëve, të cilët përjetojnë emocione të forta, që e bëjnë tepër tërheqës romanin.  Skifter Këllici i përshkruan me ndjenja të forta dhimbjeje pasojat që mund të vinin nga këto tolerime të rrezikshme dhe kjo e bën akoma edhe më  tërheqës romanin. Sepse gjatë përjetimit të emocioneve, lexuesit krijojnë simpati për kontrollorët e përpiktë në detyrë. Përgjegjësit të tyre  i janë errur sytë nga ruajtja me çdo kusht e imazhit të kompanisë, ndaj e qorton dhe e kërcënon Sokolin.

Dyshimet e kontrollorëve ishin lajmëtarët e tragjedisë së rëndë që ndodhi tek kullat binjake. Kujdesi dhe shqetësimi i tyre është i gjallë dhe plot ngarkesë emocionale, duke fituar respektin e lexuesve.

Gjithsesi, gabon kush mendon se me goditjen e kullave binjake dhe  dhimbjen e madhe, ngjarjet e mëpastajme do të ulnin emocionet dhe forcën e përjetimit të tyre. Në fakt, fill pas skenave horror brenda avionëve lindin ndjesi të reja tronditëse. Ndaj edhe nuk ka rënie të kurbës së zhvillimit të ngjarjeve. Lufta për mbijetesë e  fatkeqëve brenda kullave ndeshet me qëndresën e terroristëve, të cilët mashtrojnë dhe masakrojnë. Lufta për jetë a vdekje e  mban të ndezur ndjenjën e urrejtjes, e cila u jep forcë udhëtarëve të çajnë përpara për t’i shpëtuar vdekjes së sigurtë. Përshfaqja e përfytyrimit të ditës së dasmës tek Stivi në hotel, është përshkruar me nota mallëngjimi dhe dhimbjeje. Përfytyrimi këtu shërben si një mesazh për të vepruar në kohën  e duhur që në të ardhmen të mos përsëriten më kurrë skena dhe tragjedi të tilla.

Ja pse ”Shtatori i gjëmës së madhe” bart dhe përcjell vlera të mëdha gjithëkohore  me mesazhin kryesor se terrorizmi mbetet rrezik i përhershëm për çdo vend.

Ai mbetet një roman tepër tërheqës për lexuesin, si për temën shqiptaro-amerikane që trajton, ashtu edhe për nivelin e lartë  letraro-artistik të paraqitjes në tërësinë e vet.

 

PËRPELLAC I LASHTËSISË- Nga ARIF EJUPI

 

Dikur,
me burra të ndershëm e gra fisnike,
me djem të bukur e të hareshëm,
me gocat porsi kanarina,
me krojet e kristalta të Katrojëve,
ku shuanim etjen
kur kullosnim bagëtinë.

Doriu hingëllonte
te Ura e Kojelit,
Laroi bërlykej në Kërshaja,
Ugiçi tundte kambanën
dhe i printe tufës
drejt livadheve të Orlishtës,
si të ishte epror.

Vajzat luanin guralec,
djemtë lojën e sokolit.

Kur bënte vapë,
delet nën hijen e lisave
mrizonin,
kurse ne,
sikur në kor,
këngës ia thoshim.

Kishim një shkollë të vogël,
vetëm me dy dhoma
e një hajat,
në një bregore.

Edhe pse në klasë kishim vetëm
dërrasën e zezë
dhe shkumësin,
ndiheshim të kënaqur,

sepse kishim mollët,
ftonjtë, dardhat,
kumbullat, qershitë,
thanat e lajthitë,

si dhe aromën e këndshme
të blinjve
e mjaltin e bletëve.

Sot,
Përpellac i stuhive e shtrëngatave,
ke mbetur pa njeri;

asnjë oxhak
nuk nxjerr më tym,
vetëm zogjtë
të bëjnë roje mbi Kapi.

Kur më kap malli,
shkoj te Fusha e Gurit,
kërkoj gjurmët e hapave
të mësuesit Qazim Uka

dhe zilen e shkollës,
në duart e shtëpiakut
Shaqir Beqiri,
e imagjinoj,
teksa na thërriste
për rreshtim.

Emocionohem
dhe qaj
porsi fëmijë jetim.

Rini e ndritur, rini,
kthehu në Përpellac,
në tokën e Miftar Zejnullahut
e Skënder Zejnullahut,
Ferat Aliut, Bekim Manit
dhe dëshmorëve të tjerë,

që e mbrojtën me gjak
nga kriminelë,
çetnikë e neofashistë.

Përpellac i lashtësisë,
arterie lidhëse,
që shpie në Kurshumli e Nish
të Shqipnisë së Vjetër.

Sikur ty të bukur
s’gjej askund tjetër.

Arif Ejupi

Gjenevë, 24 qershor 2010

 

Shënim autorial : Përpellaci për mua nuk është vetëm një emër vendi.
Është një kujtim që merr frymë, një copëz historie familjare dhe një urë që më lidh me nënën time të ndjerë.

Në ato kroje, livadhe, shtigje, lisa e bregore jetojnë ende kujtimet e një kohe që nuk kthehet më. Aty mbetën zërat e fëmijëve, tingulli i ziles së shkollës, hingëllima e kuajve, kambanat e bagëtive, kënga e barinjve dhe aroma e blinjve.

Mbetën edhe emrat e njerëzve që e deshën, e punuan dhe e mbrojtën atë tokë. Këtë poezi e kam shkruar si një përulje para kujtesës së tyre dhe si një homazh për vendlindjen e nënës sime.

Në çdo varg ka mall, dhimbje dhe dashuri për një vend që sot është më i heshtur, por që në shpirtin tim vazhdon të jetë i gjallë. Sa herë e kujtoj Përpellacin, më duket sikur rikthehem për një çast në një botë të humbur, por assesi të harruar.

ZJARRI QË NUK U SHUA KURRË- Nga Isuf B.Bajrami

Elegji e një Atdheu të plagosur dhe këngë e Kushtrimit për Liri

Mos më kërkoni dhimbjen vetëm në lotët e nënës,
as vetëm në varret që heshtin nën hijen e lisave;
dhimbja e këtij Atdheu është më e thellë se nata,
ajo ka zbritur në palcën e kockës së tij të thyer
dhe atje ka ngritur folenë e saj shekullore.

Aty, në thellësinë ku mishi nuk arrin më ta fshehë plagën,
ku çdo prekje bëhet britmë dhe çdo heshtje bëhet vaj,
aty është shkruar historia e një populli të tërë;
me një gjak që nuk pushoi së kërkuari dritën,
me një zemër që u rrah nën gurë edhe kur mbi të binte nata.

Atdheu im është një trup i shtrirë mbi shekuj,
me kocka të thyera nga stuhitë e kohëve të pamëshirshme,
me mish të rrahur nga furtunat dhe rrebeshet e historisë,
me lëkurën e shqyer prej thikave të ndarjeve,
dhe mbi atë lëkurë të shqyer është vizatuar harta e dhimbjes.

Çdo vijë mbi hartë është një plagë që ende dhemb,
çdo kufi është një qepje e vjetër mbi një mish të gjallë,
çdo copë tokë e shkëputur është një pjesë e zemrës së nënës,
dhe çdo mal që mbeti përtej një vije të ftohtë
është një dorë e Atdheut që ende kërkon dorën tjetër.

Por kush mund ta ndajë gjakun nga gjaku?
Kush mund t’ia ndajë rrënjët lisit që i ka futur në të njëjtin dhe?
Kush mund t’i thotë lumit: “Mos rrjedh më drejt vëllait tënd”?
Kush mund t’ia mbyllë qiellit një horizont me tela?
Kush mund ta copëtojë një zemër duke e vizatuar në hartë?

Jo!

Sepse Atdheu nuk është letër që paloset mbi tavolina,
as vijë boje që një dorë e huaj e hedh mbi një hartë;
Atdheu është palca që dhemb brenda kockës së thyer,
është mishi që rënkon nën lëkurën e shqyer,
është fryma e një populli që nuk pranoi të vdiste.

Dhe sa herë që mbi të binte një dimër i ri,
kur bora mbulonte gjurmët dhe akulli kafshonte pragjet,
kur era ulërinte nëpër degët e zhveshura të maleve
dhe nata zgjatej si një mantel i zi mbi shtëpitë e heshtura,
brenda zemrës së Atdheut digjej një zjarr.

I vogël në fillim, sa një grusht prush nën hi,
por i madh sa gjithë qielli në ëndrrën e një fëmije;
një zjarr që e mbajti gjallë frymën e shtëpisë,
një zjarr ku nëna vinte drutë me duar të mpira
dhe pranë të cilit një popull ngrohte shpresën e tij.

Aty piqej buka.

Ah, ajo bukë e luftës, e pjekur mbi flakën e sakrificës!
Ajo nuk ishte vetëm miell, ujë dhe kripë;
ishte zemra e nënës e përzier me lot,
ishte djersa e një nate pa gjumë,
ishte një copëz shprese për fëmijën që priste pranë sofrës.

Një copë për djalin e vogël që i dridhej barku nga uria,
një copë për vajzën që e kishte harruar shijen e qetësisë,
një copë për plakun që mbante në sy kujtimet e shumë dimrave,
dhe një copë për çlirimtarin që do të ngjitej përsëri në mal,
me bukën e nënës në trastë dhe Kushtrimin në kraharor.

Kështu, në Votër nuk piqej vetëm buka.

Aty piqej durimi.

Aty piqej besimi.

Aty piqej Kushtrimi.

Aty, mes flakës dhe tymit, një nënë e zakonshme
bëhej më e fortë se nata, më e madhe se frika,
sepse ajo e dinte se djali i saj do të nisej përsëri
atje ku malet prisnin bijtë e tyre
dhe ku liria kërkonte të paguhej me jetën.

Dhe kur dera hapej e ai dilte në errësirë,
nëna nuk i thoshte shumë fjalë, se fjalët ishin bërë lot;
vetëm e shikonte gjatë, sikur donte ta ruante fytyrën e tij
brenda syve të saj për gjithë jetën,
sikur ta dinte se ndoshta ajo do të ishte hera e fundit.

Pastaj dera mbyllej.

Dhe shtëpia bëhej më e madhe se më parë,
sepse mungesa e një biri e mbushte me një heshtje të pafund;
zjarri vazhdonte të digjej në Votër,
por në zemrën e nënës kishte nisur një dimër
që asnjë pranverë nuk do ta shkrinte plotësisht.

Oj nëna n’Dardani!

Ju e dini më mirë se kushdo
sa rëndë peshon një emër kur ai bëhet kujtim,
sa e gjatë është nata kur pret një hap që nuk vjen,
sa e ftohtë është dera kur askush nuk e hap,
dhe sa e shtrenjtë është buka kur djali që duhet ta hajë nuk kthehet.

Ju nuk i dhatë vetëm bijtë.

Ju i dhatë zemrës së Atdheut vetë rrahjen e saj.

Dhe kur ranë bijtë tuaj,
malet nuk heshtën.

Grykat e thella e morën jehonën e tyre,
lumenjtë e çuan më tej nëpër lugina,
lisat u drodhën në erë,
shqiponjat u ngritën mbi kreshta,
dhe toka, e lagur me gjakun e tyre,
e fshehu në rrënjë si një amanet të shenjtë.

Prandaj, kur pranvera vjen mbi ato male
dhe bari i njomë çan tokën mbi gurët e varreve,
mos mendoni se është vetëm pranverë.

Është kujtesa që lulëzon.

Është gjaku që nuk u tret.

Është një emër që kthehet çdo vit me lulen e parë,
me aromën e barit të njomë, me këngën e zogut,
me shiun që bie mbi dhe dhe e zgjon atë ngadalë,
sikur toka t’u pëshpëritë bijve të saj:
“Nuk ju kam harruar.”

Por lufta la pas edhe të gjallët.

Dhe të gjallët shpesh mbajnë plagë
më të heshtura se plagët e varrit.

Janë invalidët që e mbajnë luftën në trup,
ata që ecin me dhimbjen e tyre si me një hije,
ata që humbën një krah, një këmbë, një sy,
por ruajtën në shpirt një Atdhe të tërë;
trupat e tyre janë dëshmi se edhe kur kocka thyhet,
mund të mbetet e pathyer forca e njeriut.

Dhe mbi kockën e thyer rënkon mishi.

Mbi mishin e plagosur rënkon lëkura.

Mbi lëkurën e shqyer rënkon harta.

Dhe mbi hartën e plagosur rënkon një popull
që për shekuj kërkoi vetëm një gjë:

të jetojë i lirë.

Kjo është dhimbja që nuk matet me vite.

Ajo matet me zemra.

Me varre.

Me nëna.

Me fëmijë.

Me shtëpi të djegura.

Me sofrat ku mbeti një vend bosh.

Me lodrat që mbetën pa duar.

Me këngët që u ndërprenë në mes.

Me emrat që u bënë përjetësi.

Dhe megjithatë, pas çdo nate, qielli solli një agim.

Pas çdo dimri, toka nxori një filiz.

Pas çdo stuhie, mali mbeti në këmbë.

Pas çdo zjarri, nga hiri doli një gjelbërim i ri.

Sepse ky popull kishte mësuar nga vetë natyra
se jeta nuk dorëzohet lehtë:
lisa të djegur nxjerrin lastarë,
gurët mbajnë ujë në thellësi,
lumenjtë gjejnë gjithmonë një shteg,
dhe fara, edhe kur varroset nën dhe,
nuk e quan varr vendin ku fillon të mbijë.

Kështu rilindi shpresa.

Jo sepse dhimbja u harrua,
por sepse dhimbja u kthye në kujtesë.

Jo sepse varret u mbyllën,
por sepse emrat e të rënëve u bënë dritë.

Jo sepse plagët u zhdukën,
por sepse mbi to filloi të rritej një e ardhme.

Dhe Vatra mbeti.

Vatra që kishte parë duart e nënës,
lotët e fëmijës,
bukën e ndarë me çlirimtarin,
netët e gjata të luftës,
dimrat që dukej sikur nuk do të mbaronin kurrë.

Vatra mbeti si një zemër e vogël
në kraharorin e madh të Atdheut.

Dhe sa herë që dikush i afrohet asaj flake,
le ta dëgjojë me shpirt se çfarë thotë zjarri:

“Mos më lini të shuhem.”

Sepse kjo flakë nuk është vetëm dru.

Është nëna.

Është fëmija.

Është dëshmori.

Është invalidi.

Është babai që heshti.

Është familja që priti.

Është buka që u nda në kohë urie.

Është mali që fshehu bijtë e vet.

Është toka që piu gjak.

Është shpresa që doli nga hiri.

Është vetë Kushtrimi për Liri.

Dhe nëse ndonjëherë era e historisë
përsëri përpiqet ta mbulojë këtë flakë me hi,
mos harroni se nën hi nuk vdes gjithmonë zjarri.

Ndonjëherë ai vetëm pret.

Pret një frymë.

Pret një dorë.

Pret një zemër që ta kuptojë.

Dhe pastaj ngrihet përsëri,
si dielli pas një nate të pafund,
si shqiponja pas stuhisë,
si pranvera mbi tokën e plagosur.

Sepse Atdheu mund të ketë kocka të thyera,
por palca e tij ende është gjallë.

Mund t’i jetë shqyer lëkura,
por zemra e tij ende rreh.

Mund t’i jetë plagosur mishi,
por rrënjët e tij ende pinë ujë nga toka.

Mund të ketë kaluar nëpër zjarre,
por nga zjarri i tij është pjekur buka e jetës.

Dhe për sa kohë në një shtëpi në Dardani
një nënë do të ndezë dru në Votër,
për sa kohë mbi atë flakë do të piqet buka,
për sa kohë një fëmijë do të afrohet pranë saj për t’u ngrohur,
për sa kohë emri i një dëshmori do të shqiptohet me nderim,
për sa kohë një invalid do ta mbajë plagën si dëshmi,
për sa kohë pranvera do të mbjellë lule mbi varret e të rënëve —

ajo flakë do të jetë aty.

E vogël ndoshta.

E heshtur ndoshta.

Por e pavdekshme.

Sepse është Flaka e Lirisë.

Është Zjarri në Votër.

Dhe ai zjarr, sado dimra të vijnë,
nuk do të shuhet kurrë.

LAMTUMIRË, ABAZ MUSË BUÇPAPAJ KUSHERINI IM FISNIK DHE PATRIOT- Nga dr. Mujë Buçpapaj

Abaz Musë Buçpapaj
Ka njerëz që ikin dhe pas tyre mbetet heshtja. Ka të tjerë që, edhe pasi mbyllin sytë, vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e njerëzve, në rrugët ku kanë ecur, në kafetë ku kanë folur, në shtëpitë ku kanë hyrë, në fjalët që kanë thënë dhe në zemrat e atyre që i kanë dashur. Abaz Musë Buçpapaj ishte nga këta njerëz.
Dje, në Bajram Curri,(Tropojë) iu dha lamtumira njërit prej bijve të saj të nderuar. Familja, fisi, miqtë dhe njerëzit që e njohën e përcollën për në banesën e fundit një burrë 94-vjeçar, i cili e kishte jetuar pothuajse një shekull shqiptar, me gjithë dritën dhe hijet e tij, me gjithë ndryshimet, përmbysjet, padrejtësitë, shpresat dhe zhgënjimet.
Dhe ndoshta nuk ka mënyrë më të bukur për ta kuptuar një njeri sesa të shohësh çfarë lë pas vetes kur largohet.Abazi la pas familjen.La pas miqtë.La pas fisin.La pas kujtimet.Por mbi të gjitha, la pas nderin e një emri.Dhe një emër i nderuar është një nga pasuritë më të mëdha që një njeri mund t’u lërë brezave.
Në historinë e një fisi ka lidhje që nuk shkruhen në libra. Ato ruhen në kujtesën e burrave dhe grave, kalojnë nga babai te biri dhe mbijetojnë edhe atëherë kur kohët përpiqen t’i ndajnë njerëzit.
Babai i Abazit, Mus Isufi, ishte kushëri dhe mik i babait tim, Mehmet Buçpapajt. Dy familjet tona ishin të lidhura nga gjaku, por mbi gjakun u ndërtua edhe një miqësi e gjatë, e cila u provua në kohë të vështira.Dhe kohët ishin vërtet të vështira. Kur familja ime e ngushtë u përndoq dhe u godit nga regjimi komunist si “reaksionare”, kur fjala “biografi” mund të bëhej më e fortë se çdo meritë njerëzore, kur lufta e klasave mund të shtrihej deri në shtatë breza dhe frika i mësonte njerëzit të largoheshin edhe nga të afërmit, Abazi, vëllai i tij Selimi dhe familjet e tyre nuk u larguan prej nesh.Nuk e mohuan gjakun.Nuk e mohuan miqësinë.Nuk e mohuan të shkuarën.Qëndruan.
Dhe ndonjëherë, në historinë e një familjeje, të qëndrosh është një akt më i madh se çdo fjalë.
Regjimet ndryshojnë. Ideologjitë vijnë e shkojnë. Kohët përmbysen. Por disa gjëra nuk duhet të ndryshojnë kurrë.Gjaku nuk bëhet ujë. Kjo ishte një nga mësimet e heshtura që Abazi dhe familja e tij na lanë.
Abazi jetoi 94 vjet.Por mosha nuk e kishte zvogëluar. Edhe në vitet e fundit të jetës, kur shumë njerëz të moshës së tij mbështeten pas kujtimeve të largëta, ai të jepte përshtypjen e një burri ende në këmbë përballë jetës.Ishte mbi dy metra i gjatë si nje malsor tipik. Një kolos. Por kolosët e vërtetë nuk maten me centimetra.Madhësia e Abazit ishte tjetërkund: te karakteri, tek fisnikeria, guximi dhe mençuria.
E shihje duke ecur nëpër Tiranë me hapin e tij të sigurt, gjithmonë i gjallë, me humor dhe me atë pamje të një burri që nuk ishte dorëzuar kurrë para viteve.
Abazi e lidhi gjithë jetën e tij aktive me ushtrinë shqiptare, së cilës i shërbeu me përkushtim deri në daljen në pension. Për të, uniforma nuk ishte thjesht një profesion, por një mision dhe një nder. Në karrierën e tij ushtarake ai dëshmoi profesionalizëm të lartë, përgatitje të vazhdueshme, disiplinë dhe përgjegjshmëri, por edhe atë cilësi të rrallë të drejtuesit që di të bashkojë autoritetin me mirëkuptimin njerëzor. Me kolegët dhe vartësit ruante marrëdhënie të respektit të ndërsjellë, dinte të dëgjonte, të vlerësonte dhe të udhëhiqte, ndërsa aftësitë e tij të forta në drejtim, organizim dhe menaxhim e bënë një kuadër të besueshëm dhe të respektuar të Forcave të Armatosura. Ai ishte një ushtarak i formuar në frymën e detyrës, disiplinës dhe nderit, por mbi të gjitha një patriot që besonte se shërbimi ndaj ushtrisë ishte shërbim ndaj Shqipërisë. Ia kushtoi vitet më të mira të jetës uniformës shqiptare dhe e mbajti deri në fund të karrierës së tij bindjen se nderi i ushtarakut dhe dashuria për Atdheun janë dy vlera që nuk ndahen kurrë. Për Abazin, Shqipëria nuk ishte vetëm vendi ku kishte lindur; ishte Atdheu të cilit i kishte dhënë një pjesë të madhe të jetës së tij.
Tre dekadat e fundit i kaloi në Tiranë, pranë të birit, Agimit, edhe ky ushtarak i shquar dhe profesionist, i cili, edhe pse kishte një karrierë të gjatë e të suksesshme, u largua vitet e fundit nga shërbimi për arsye ideologjike.
Edhe kjo ishte një nga padrejtësitë e kohëve që familja e Abazit i përjetoi pa u thyer. Abazi nuk jetoi për luks.Nuk jetoi për dukje.Nuk jetoi për pasuri.Jetoi për familjen, per vendin dhe Atdheun.Dhe në fund të jetës, kjo ishte pasuria e tij më e madhe.Ka një privilegj që koha ua jep vetëm disa njerëzve: të shohin jetën e tyre të vazhdojë përtej vetes.
Abazi pati fatin të shihte katër breza të familjes së tij.Të birin. Nipin. Stërnipin. Të shihte një familje që rritej përpara syve të tij dhe të ndiente se jeta e vet kishte kaluar në duart e një brezi tjetër. Rreth tij ishin jo vetëm i biri Agimi, por edhe vajzat Dusha dhe Mimoza, motrat e tij Xhanja e Hamitja dhe një rreth i madh fëmijësh, nipërish, mbesash e stërnipërish.Kjo është ndoshta një nga format më të bukura të pavdekësisë: të vazhdosh të jetosh në fytyrat e atyre që vijnë pas teje.
Por jeta e Abazit nuk ishte vetëm dritë. Ai njohu edhe dhimbjen e madhe. Bashkëshortja e tij, Zadja, grua fisnike nga Memiajt e njohur të Gashit, u nda herët nga jeta. Dhimbja e saj lidhej edhe me humbjen tragjike të djalit të tyre, Besimit, i cili u nda nga jeta në lulen e rinisë, duke lënë pas një nuse të re dhe një vajzë të vogël. Disa dhimbje nuk shërohen. Njeriu vetëm mëson t’i mbajë me vete. Abazi e mbajti atë dhimbje gjatë gjithë jetës, por nuk e la të shndërrohej në hidhërim. Vazhdoi të jetonte. Vazhdoi të kujdesej. Vazhdoi të qeshte. Vazhdoi të ishte pranë të tjerëve.
Ndoshta ky ishte një nga triumfet e tij më të mëdha: të mos lejonte që dhimbja t’ia mundte fisnikërinë.Në vllazërinë Buçpapaj, Abazi kishte një autoritet të veçantë. Jo vetëm sepse ishte më i madh në moshë.Por sepse kishte fjalën e matur të burrit që kishte parë shumë. Ai nuk fliste për të mbushur heshtjen. Fliste kur kishte diçka për të thënë. Dhe fjala e tij kishte peshë. Në Tropojë, në Tiranë, mes familjarëve, miqve dhe bashkëkrahinorëve, ishte një pikë referimi.I drejtë. I ndershëm. I thjeshtë. Inteligjent. Human.Por edhe i prerë, siç i shkon një ushtaraku.Kur duhej të ishte i rreptë, ishte i rreptë. Dhe kur puna kërkonte vendim, fjala e tij nuk kishte nevojë për shumë përsëritje.
Në vitet e fundit, kishim një ritual të vogël.Kafenë. Abazi dhe miqtë e tij, kryesisht nga Tropoja, mblidheshin pothuajse çdo ditë në një kafene në qendër të Tiranës.Aty kalonte një orë.Ndoshta më shumë. Flisnin për gjithçka. Për Tropojën. Për Malsinë e Gjakovës.Për njerëzit që kishin ikur.Për ata që kishin mbetur.Për Kosovën.Për Shqipërinë.Për politikën.Për kohët e vjetra.Dhe, mbi të gjitha, për njerëzit.Kishte humor.Kishte kujtime.
Ndër kujtimet e shumta që sillte Abazi, ishte edhe një episod i hershëm, që sot, pas kaq shumë vitesh, duket si një copëz e gjallë e një bote që po largohet bashkë me njerëzit e saj.
Kur lindi Skënderi, vëllai im i madh, familja jonë kishte marrë një gëzim të veçantë: pas tri vajzave, baba im, Mehmeti, ishte bërë me djalë. Në atë kohë Abazi kryente shërbimin ushtarak në një repart në Jug të Shqipërisë. Babai im i dërgoi një telegram ku e njoftonte për lindjen e djalit. Telegrami i gjeti Abazit ndërsa ishte në shërbim roje, në repart. E hapi, e lexoi dhe, në vend që ta mbante gëzimin për vete, bëri atë që do të bënte një malësor kur i lind një djalë: mori pushkën dhe qëlloi disa herë në ajër.
Reparti kaloi menjëherë në alarm. Komandanti doli me nxitim për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Përballë tij ishte Abazi, ende me telegramin në dorë. Kur e pyeti për arsyen e krismave, Abazi ia zgjati telegramin dhe i tha, me natyrshmërinë e tij:
— Në Malësi, kur na lind djalë, qesim pushkë. Më lindi kushëriri djalë dhe këtë zakon e kreva edhe këtu.
Ishte një përgjigje që vetëm Abazi mund ta jepte në atë çast: e drejtpërdrejtë, e pafajshme dhe njëkohësisht e rrënjosur thellë në traditën prej nga vinte.Sigurisht, kjo ishte një thyerje e disiplinës ushtarake. Por komandanti, pasi kuptoi arsyen, nuk mundi të mos e falte. Përkundrazi, e uroi Abazin për kushëririn e sapolindur.Kështu, lajmi për lindjen e Skënder Buçpapajt u shoqërua me krisma edhe larg Tropojës, në një repart ushtarak në Jug.
Sot, ky episod më duket më shumë se një kujtim familjar. Është një copëz e asaj bote të dikurshme shqiptare ku lindja e një djali ishte gëzim i gjithë fisit, ku pushka ishte pjesë e gjuhës së festës dhe ku një burrë mund të harronte për një çast rregulloren e repartit, por jo zakonin e vendlindjes.Dhe Abazi, edhe nën uniformën ushtarake, edhe larg maleve, mbeti bir i Malësisë.Uniforma e kishte mësuar të respektonte rregullin; vendlindja i kishte mësuar të nderonte gëzimin. Atë ditë, për pak çaste, gëzimi fitoi mbi rregulloren.
Kishte atë lloj bisede që sot po bëhet gjithnjë e më e rrallë: bisedën e njerëzve që e kanë jetuar historinë dhe nuk kanë nevojë ta kërkojnë atë në libra.Unë isha gjithmonë i ftuar në atë rreth. Jo gjithmonë arrija të shkoja.Puna ime me librin, gazetën, kulturën dhe jetën publike më merrte kohën.Sot, do të doja të kisha shkuar më shpesh.Sepse sot e di se disa kafe nuk duhen shtyrë për nesër. Këtu kam një peng që do ta mbaj gjatë. Kishim folur me Abazin të shkruanim kujtimet e tij. Nuk u realizua. Dhe sot më dhemb.
Sepse ato kujtime nuk do të ishin vetëm kujtime të Abazit.Do të ishin kujtime të një epoke.Një njeri që jetoi 94 vjet mbante brenda vetes një shekull.Një shekull familjar.Një shekull tropojan.Një shekull shqiptar.Kujtime për njerëzit, për ushtrinë, për komunizmin, për luftën e klasave, për demokracinë, për ndryshimet e mëdha që kaluan mbi këtë vend.
Abazi ishte një arkiv i gjallë.Dhe sot ai arkiv u mbyll.Por fjalët e tij, historitë e tij, mënyra e tij për ta parë botën, duhet të mbeten.Ky është edhe detyrimi im.Sepse një shkrimtar nuk mund ta lejojë kujtesën të vdesë dy herë.
Ka një tjetër kujtim që nuk mund ta lë jashtë. Kur u plagosa me nje bresheri kallashnikove në vitin 1997, Abazi ishte ndër të parët që më erdhi në spital.Nuk harrohet njeriu që të gjendet pranë kur je në një nga ditët më të vështira të jetës. Nuk harrohet fjala e dhënë në një dhomë spitali.Nuk harrohet dora e kushëririt që vjen jo për të bërë detyrën e një të afërmi, por sepse e ndien dhimbjen tënde si të vetën.Këto janë kujtime që nuk zverdhen.
Abazi e deshi shumë vendlindjen.Edhe pse jetoi gjatë në Tiranë, zemra e tij kishte mbetur në Tropojë.Kur krijuam shoqatën e fshatit tonë, ai ishte ndër njerëzit që dha ndihmën e tij me këshilla dhe kontakte.E ftoja në veprimtaritë kulturore qe organizoja dhe vinte me kënaqësi. Tre vjet më parë, në promovimin e librit të bashkëfshatarit tonë Al Bajrami, “Tplani, vendlindja ime”, Abazi ishte në panel bashkë me mua. Atë ditë foli për vendlindjen me një emocion që nuk mund të perseritet. Sepse vendlindja, për njerëz si Abazi, nuk është thjesht një vend në hartë.
Është vendi ku njeriu ka lënë fëmijërinë, prindërit, të parët, gjuhën, kujtesën dhe emrin.Ai e donte edhe kulturën, ndiqte Gazetën Nacional, të cilën e blinte çdo javë, dhe interesohej për jetën kulturore e publike.Dhe sa herë kishte një fatkeqësi në komunitet, ishte aty.Ngushëllonte.Mbështeste.Nuk mungonte.
Por ndoshta asgjë nuk e tregon më mirë lidhjen e Abazit me vendlindjen sesa amaneti i tij i fundit.I kishte thënë të birit, Agimit:“Më fut në dhe afër djalit Besimit.”Nuk kërkoi një varr larg.Nuk kërkoi një vend tjetër.Kërkoi të kthehej atje ku kishte lindur.Atje ku preheshin të parët.Atje ku ishte edhe biri i tij.Dhe Agimi ia përmbushi amanetin.Abazi u kthye në Tropojë.U kthye në dheun e vet.U kthye pranë Besimit.
Dhe Tropoja doli për ta përcjellë.Ndoshta ishte mënyra më e bukur për t’i thënë një burri:Ti ishe malsori ynë i nderuar.Sot Abazi nuk është më mes nesh.Por ka njerëz që nuk largohen krejtësisht.Ata mbeten në gjuhën e familjes.Në fotografitë e vjetra.Në rrëfimet e fëmijëve.Në kujtimet e miqve.
Në rrugët ku kanë ecur.Në kafetë ku kanë folur.Në emrat e atyre që do të vijnë.Dhe kështu do të jetë edhe me Abazin.Do ta kujtojmë si ushtarakun e shquar.
Si burrin shtatlartë që ecte drejt edhe në moshën 94-vjeçare.Si njeriun me humor.Si kushëririn që nuk e harroi familjen.Si burrin që nuk e braktisi gjakun në kohë të vështira.Si njeriun që dinte të ishte i fortë pa qenë i ashpër.Si njeriun që dinte të ishte i butë pa qenë i dobët.Si mikun që gjendej pranë kur duhej.
Si burrin që e deshi Tropojën deri në frymën e fundit.
Dhe, për mua, si një kapitull të gjallë të historisë së krejt fisit Buçpapaj, një kapitull që tashmë është mbyllur, por që nuk duhet të harrohet.
Sepse njerëzit si Abazi nuk janë vetëm pjesë e familjes.Ata janë kujtesa e familjes.Dhe kur ikën kujtesa, detyra e të gjallëve është ta mbajnë ndezur dritën e saj.Abazi e përfundoi udhëtimin e tij.Eci përmes 94 vitesh jetë, përmes dashurive dhe humbjeve, përmes kohëve të mira e të këqija, përmes historisë së një familjeje dhe të një vendi.Në fund kërkoi vetëm pak dhe pranë birit.Dhe iu dha.Tani prehet në tokën ku kishte lindur.Në atë tokë që e kishte mbajtur gjithmonë në zemër.Ndoshta ky është kthimi më i madh i njeriut: të kthehet në fillim, pasi ka përshkuar gjithë udhën e jetës.
Lamtumirë, Abaz!
Ti ike nga kjo botë, por nuk ike nga kujtesa jonë. Do të jesh në rrëfimet e fëmijëve tanë, në kujtimet e vëllezërve e kushërinjve, në emrin e familjes, në bisedat e atyre që pinë kafe me ty dhe në historitë që një ditë do t’ua tregojmë brezave.Sepse ti nuk na le vetëm një jetë të gjatë.Na le një dëshmi se si mund të jetohet me dinjitet, me bese dh ender.Dhe tani, kushëri i dashur, pusho i qetë. Pas një udhëtimi 94-vjeçar, më në fund u ktheve në shtëpi.
Të qoftë lehtë dheu i vendlindjes, pranë Besimit, ashtu siç e kërkove!
E emri yt u kujtoftë gjatë, për aq kohë sa në këtë tokë të ketë njerëz që e dinë se çfarë do të thotë familje, besë, fis, vendlindje dhe nder.
Lamtumirë!
Dhe prehu në paqe, në tokën tënde!

IVAN BUNIN Pika e diellit Përktheu nga origjinali Bujar Hudhri

Pas drekës, nga salla e ngrënies e përmbytur në dritë të fortë e të nxehtë, dolën në kuvertë dhe u ndalën te parmakët. Ajo mbylli sytë, i vuri dorën në faqe me pëllëmbën nga jashtë dhe qeshi me një të qeshur të çiltër e magjepsëse — te kjo grua e vogël gjithçka ishte magjepsëse — pastaj tha:

– Më duket se jam dehur… Nga dolët ju? Para tri orësh as që e merrja me mend se ekzistonit. Madje as nuk e di ku hipët. Në Samarë? Po s’ka rëndësi… A më merren mendtë mua, apo po marrim ndonjë kthesë?

Përpara kishte terr e drita. Nga terri u binte në fytyrë një erë e fortë, e butë, ndërsa dritat rendnin diku anash: vapori, me një kapardisje vollgiane, përshkruante vrullshëm një hark të gjerë, duke rendur drejt një skele të vogël.

Togeri ia mori dorën dhe e çoi te buzët. Dora, e vogël dhe e fortë, mbante erën e lëkurës së nxirë nga dielli. Dhe zemra iu ndal, njëherësh nga ëndja dhe nga tmerri, tek mendoi sa i lidhur e i zeshkët duhej të ishte krejt trupi i saj nën atë fustan të lehtë prej liri, pas një muaji të tërë të kaluar shtrirë nën diellin e jugut, mbi rërën e nxehtë buzë detit (ajo kishte thënë se po vinte nga Anapa).

Togeri mërmëriti:

– Të zbresim…

– Ku? – pyeti ajo e habitur.

– Këtu, në këtë skelë.

– Përse?

Ai heshti. Ajo e vuri përsëri kurrizin e dorës në faqen e nxehtë.

– Çmenduri…

– Të zbresim, – përsëriti ai si i topitur. – Ju përgjërohem…

– Ah, bëni si të doni, – tha ajo, duke u kthyer mënjanë.

Vapori, që kishte marrë vrull, u përplas butë me skelën e ndriçuar zbehtë dhe ata për pak sa nuk ranë mbi njëri-tjetrin. Sipër kokave u fluturoi skaji i një litari; pastaj vapori u tërhoq prapa, uji vloi me zhurmë dhe gjëmuan dërrasat e zbarkimit… Togeri u turr të merrte bagazhet.

Pas një minute kaluan përmes zyrës së vogël, të përgjumur, dolën në rërën e thellë, ku rrotat zhyteshin gjer në bosht, dhe hipën në heshtje në një karrocë të hapur me qira, të pluhurosur. Ngjitja e butë përpjetë, mes fenerëve të rrallë e të shtrembër, nëpër rrugën e zbutur nga pluhuri, iu duk e pafund. Por ja, arritën lart, dolën në qytet dhe karroca nisi të trokëllinte mbi kalldrëm; ja një shesh, ndërtesa zyrtare, kulla e vrojtimit të zjarreve, ngrohtësi dhe aroma të një qyteti të vogël provincial në natën e verës…

Karrocieri ndaloi pranë hyrjes së ndriçuar, pas dyerve të hapura të së cilës ngrihej thikë një shkallë e vjetër druri; një shërbëtor plak, i parruar, me një këmishë rozë me jakë anash dhe me redingotë, mori pa qejf bagazhet dhe u nis përpara, duke çapitur me këmbët e rrafshuara nga vitet.

Hynë në një dhomë të madhe, por tmerrësisht mbytëse, të përvëluar gjithë ditën nga dielli, me perdet e bardha të lëshuara në dritare dhe me dy qirinj të pandezur mbi tryezëzën nën pasqyrë — dhe, sapo hynë e shërbëtori mbylli derën, togeri iu turr asaj me aq vrull dhe të dy u mbytën në puthje me një dalldi të tillë, sa për shumë vjet më pas do ta kujtonin atë çast: asnjëri prej tyre nuk kishte përjetuar kurrë në jetë diçka të tillë.

Në orën dhjetë të atij mëngjesi me diell, të nxehtë e të lumtur, me kumbimin e kambanave të kishave, me pazarin në sheshin përpara hotelit, me erën e sanës, të katranit dhe, sërish, me tërë atë përzierje të ndërlikuar aromash që mbush një qytet provincial rus, ajo — ajo grua e vogël pa emër, që nuk ia tha asnjëherë emrin dhe që, me shaka, e quante veten “e panjohura e bukur” — u largua.

Fjetën pak; por në mëngjes ajo u la e u vesh në pesë minuta dhe, kur doli nga pas paravanit pranë shtratit, ishte e freskët sikur të ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe. A ndihej në siklet? Jo, fare pak. Vazhdonte të ishte e çiltër, gazmore dhe — tashmë — e matur.

– Jo, jo, i dashur, – tha ajo, kur ai i kërkoi ta vazhdonin udhën së bashku, – jo, ju duhet të qëndroni këtu e të prisni vaporin tjetër. Po të vazhdojmë bashkë, do të prishet gjithçka. Do të më vinte shumë keq. Ju jap fjalën e nderit se nuk jam aspak ajo që mund të keni menduar se jam. Kurrë nuk më ka ndodhur asgjë që t’i ngjante qoftë edhe sadopak kësaj dhe nuk do të më ndodhë më kurrë. Sikur m’u err mendja… Ose, më saktë, të dyve na zuri diçka si pika e diellit…

Dhe togeri u pajtua me të çuditërisht lehtë. Me zemër të lehtë e të lumtur, e çoi deri në skelë, pikërisht në kohën kur po nisej vapori rozë i shoqërisë “Samoljot”; e puthi në kuvertë para të gjithëve dhe mezi arriti të hidhej mbi urën e zbarkimit, të cilën tashmë po e tërhiqnin mbrapsht.

Po aq lehtë e pa merak u kthye edhe në hotel. Por diçka tashmë kishte ndryshuar. Dhoma pa të iu duk krejt tjetër nga ç’kishte qenë kur ajo ndodhej aty. Ishte ende plot me të — dhe bosh. Ishte e çuditshme! Ende ndihej aroma e kolonjës së saj të mirë angleze, ende mbi tabaka rrinte filxhani i saj i lënë përgjysmë, kurse ajo tashmë nuk ishte më… Dhe zemra e togerit u shtrëngua befas nga një valë aq e butë përmallimi, sa ai nxitoi të ndizte një cigare dhe bëri disa herë ecejake nëpër dhomë.

– Ç’aventurë e çuditshme! – tha me zë, duke qeshur e duke ndier se sytë po i mbusheshin me lot. – “Ju jap fjalën e nderit se nuk jam aspak ajo që mund të keni menduar se jam…” Dhe tashmë kishte ikur…

Paravani ishte shtyrë mënjanë, shtrati ende nuk ishte rregulluar. Dhe ai ndjeu se tani thjesht nuk kishte fuqi ta vështronte atë shtrat. E fshehu pas paravanit, mbylli dritaret që të mos dëgjonte zërat e pazarit dhe kërcitjen e rrotave, uli perdet e bardha që gufonin nga era dhe u ul në divan… Po, ja ku mbaroi kjo “aventurë udhëtimi”!

Iku — dhe tashmë është larg; me gjasë, rri në sallonin e bardhë me xhama ose në kuvertë dhe vështron lumin e stërmadh që shkëlqen nën diell, trapet që vijnë përballë, ranishtat e verdha, largësinë vezulluese të ujit e të qiellit, gjithë atë pafundësi të Vollgës… Dhe lamtumirë — tani përgjithmonë, përjetë… Sepse ku mund të takohen më?

Nuk mundem, – mendoi ai, – nuk mundem që, pa pritur e pa kujtuar, të shfaqem në atë qytet ku ajo ka të shoqin, ku ka vajzën trevjeçare — ku, me një fjalë, ka gjithë familjen dhe gjithë jetën e saj të zakonshme!”

Dhe ai qytet iu duk një qytet disi i veçantë, thuajse i ndaluar, dhe mendimi se ajo do të vazhdonte të jetonte atje jetën e saj të vetmuar, ndoshta duke e kujtuar shpesh, duke kujtuar takimin e tyre të rastësishëm, aq kalimtar, kurse ai nuk do ta shihte më kurrë — ky mendim e shtangu dhe e tronditi. Jo, kjo s’mund të ndodhte! Do të ishte një gjë tepër e çmendur, e panatyrshme, e pabesueshme! Dhe ndjeu një dhimbje të tillë, dhe e gjithë jeta që i mbetej përpara pa të iu duk aq e kotë, sa e pushtuan tmerri dhe dëshpërimi.

– Ç’dreqin! – mendoi ai, duke u ngritur e duke nisur sërish të ecte nëpër dhomë, ndërsa përpiqej të mos hidhte sytë nga shtrati pas paravanit. – Po ç’është kjo që po më ndodh? Ç’kishte ajo aq të veçantë dhe çfarë kishte ndodhur, në fund të fundit? Vërtet, sikur më kishte zënë pika e diellit! Dhe, mbi të gjitha, si do ta kaloj tani, pa të, një ditë të tërë në këtë humbëtirë?

Ai e mbante ende të tërën në kujtesë, me çdo veçanti, edhe më të imtën; kujtonte erën e lëkurës së saj të nxirë nga dielli dhe të fustanit të lehtë prej liri, trupin e saj të lidhur, tingullin e gjallë, të çiltër e të hareshëm të zërit të saj…

Ndjesia e kënaqësive që sapo kishte përjetuar prej gjithë hireve të saj femërore ishte ende jashtëzakonisht e gjallë brenda tij; por tani mbizotëronte, megjithatë, kjo ndjenjë e dytë, krejt e re, ajo ndjenjë e çuditshme, e pakuptueshme, që nuk ishte shfaqur aspak sa kohë qenë bashkë, të cilën as që mund ta kishte marrë me mend se ekzistonte brenda tij kur dje nisi atë njohje që, siç mendonte, do të ishte vetëm një zbavitje, dhe për të cilën tani s’mund t’i fliste më!

Dhe, mbi të gjitha, – mendoi ai, – nuk do t’ia thuash dot më kurrë! E ç’të bësh, si ta kalosh këtë ditë të pafundme, me këto kujtime, me këtë vuajtje pa rrugëdalje, në këtë qytezë të harruar nga Zoti, mbi po atë Vollgë vezulluese, nëpër të cilën e kishte marrë me vete ai vapor rozë!”

Duhej të gjente shpëtim: të merrej me diçka, ta hiqte mendjen, të shkonte diku. Vuri me vendosmëri kasketën, mori kamxhikun e kalërimit, përshkoi me nxitim korridorin e zbrazët, me mamuzet që i cingërinin, dhe zbriti me vrap shkallët e pjerrëta, deri te hyrja… Po, por ku të shkonte?

Te hyrja rrinte një karrocier i ri, me një kaftan të hijshëm, dhe pinte qetë një cigare. Togeri e vështroi me hutim e habi: si ishte e mundur të rrije kaq qetë në ndenjësen e karrocierit, të pije duhan dhe, në përgjithësi, të ishe një njeri i zakonshëm, i shkujdesur, indiferent?

Me sa duket, vetëm unë jam kaq tmerrësisht i palumtur në mbarë këtë qytet”, mendoi ai, duke marrë udhën drejt pazarit.

Pazari tashmë po shpërndahej. Kushedi përse, ai u end ca nëpër bajgat e freskëta, mes qerreve e ngarkesave me kastravecë, mes tasave e poçeve të reja; gratë, ulur përdhe, e thërrisnin kush e kush më parë, merrnin poçet në duar, u trokitnin me gishta e i bënin të tingëllonin, për t’i treguar sa të forta ishin; burrat ia shurdhonin veshët duke i bërtitur:

– Ja, kastravecë të dorës së parë, zotëri!

E gjithë kjo ishte aq e marrë, aq pa kuptim, sa ai iku me vrap nga pazari. Shkoi në katedrale, ku tashmë këndonin me zë të lartë, hareshëm e me vendosmëri, me ndjenjën e detyrës së kryer; pastaj eci gjatë, duke u vërtitur nëpër kopshtin e vogël, të nxehtë e të lënë pas dore, në buzë të rrëpirës së kodrës, përmbi shtrirjen e pamatë të lumit, të çelët si çeliku…

Spaletat dhe kopsat e tunikës ishin nxehur aq fort, sa nuk mund t’i prekte. Brezi i kasketës, nga brenda, ishte qull në djersë; fytyra i përvëlonte…

Kur u kthye në hotel, hyri me ëndje në sallën e ngrënies në katin përdhes, të madhe, të zbrazët e të freskët; me po atë ëndje hoqi kasketën dhe u ul në një tryezë të vogël pranë dritares së hapur, nga e cila hynte vapa, por sidoqoftë ndihej njëfarë rryme ajri; porositi botvinja me akull…

Gjithçka ishte mirë; në gjithçka kishte një lumturi të pamatë, një hare të madhe: edhe në atë zheg, edhe në gjithë erërat e pazarit, edhe në tërë atë qytezë të panjohur, edhe në atë hotel të vjetër provincial, ishte ajo — ajo hare; e njëkohësisht zemra po i bëhej copë-copë.

Ai piu disa gotëza vodke, duke i shoqëruar me kastravecë të kripur lehtë, me kopër, dhe duke ndier se do të pranonte pa u menduar dy herë të vdiste që të nesërmen, sikur me ndonjë mrekulli të mund ta sillte atë sërish pranë vetes e të kalonte me të edhe një ditë — pikërisht ditën e sotme — ta kalonte vetëm për këtë, vetëm për këtë: t’i rrëfente sa me dhembje e sa me ngazëllim e dashuronte, t’ia provonte në ndonjë mënyrë, ta bindte… Përse t’ia provonte? Përse ta bindte? Nuk e dinte përse, por kjo i ishte më e domosdoshme se vetë jeta.

– Më qenkan shfrenuar fare nervat! – tha, duke mbushur gotëzën e pestë me vodkë.

E shtyu botvinjën tutje, porositi një kafe të zezë, nisi të pinte duhan e të mendonte me ngulm: ç’duhej të bënte tani, si të shpëtonte nga kjo dashuri e beftë, e papritur? Por të shpëtonte prej saj — këtë e ndiente tepër fort — ishte e pamundur. Dhe befas u ngrit përsëri me ngut, mori kasketën dhe kamxhikun e kalërimit dhe, pasi pyeti ku ndodhej posta, u drejtua me nxitim andej, me fjalinë e telegramit tashmë të formuluar në mendje:

Që nga ky çast, e gjithë jeta ime, përgjithmonë, deri në varr, është e juaja, në dorën tuaj.”

Por, kur mbërriti te ndërtesa e vjetër me mure të trasha, ku ndodheshin posta dhe telegrafi, u ndal i tmerruar: ai e dinte qytetin ku banonte ajo, e dinte se kishte të shoqin dhe një vajzë trevjeçare, por nuk dinte as mbiemrin, as emrin e saj! Dje, gjatë darkës dhe në hotel, e kishte pyetur disa herë për këtë, dhe çdo herë ajo kishte qeshur e kishte thënë:

– Po ç’ju duhet të dini kush jam e si quhem?

Në cep të rrugës, pranë postës, ishte vitrina e një atelieje fotografike. Ai vështroi gjatë portretin e madh të njëfarë ushtaraku me spaleta të rënda, plot thekë, me sy të dalë, ballë të ulët, favorita çuditërisht madhështore dhe një gjoks tejet të gjerë, të mbuluar krejt me dekorata…

Sa e huaj, sa e frikshme bëhet gjithçka e përditshme, e zakonshme, kur zemra është goditur — po, pikërisht goditur, tani e kuptonte — nga ajo e tmerrshme “pikë e diellit”: nga një dashuri tepër e madhe, nga një lumturi tepër e madhe!

I hodhi sytë portretit të një çifti të sapomartuar: djaloshi, me redingotë të gjatë e kravatë të bardhë, me flokët të qethur shkurt si furçë, rrinte gatitu, krah për krah me një vajzë në tyl nusërie; pastaj e kaloi vështrimin te portreti i njëfarë zonjushe të bukur e çapkëne, me kasketë studenti të vënë pjerrtas…

Pastaj, i brejtur nga një zili e dhembshme ndaj gjithë atyre njerëzve të panjohur për të, që nuk vuanin, nisi të vështronte me ngulm përgjatë rrugës.

– Ku të shkoj? Ç’të bëj?

Rruga ishte krejt e shkretë. Shtëpitë ishin të gjitha njësoj: të bardha, dykatëshe, shtëpi tregtarësh me kopshte të mëdha; dukej sikur në to s’kishte frymë njeriu. Një shtresë e trashë pluhuri të bardhë mbulonte kalldrëmin; e gjithë kjo të verbonte, gjithçka ishte përmbytur nga një diell i nxehtë, flakërues e i hareshëm, por që këtu dukej sikur ndriçonte më kot.

Në largësi, rruga ngrihej, bënte kurriz dhe ngulej në horizontin pa re, të përhimët e me një vezullim. Në gjithë këtë kishte diçka jugore, që të kujtonte Sevastopolin, Kerçin… Anapën. Kjo ishte veçanërisht e padurueshme.

Dhe togeri, kokulur, duke picërruar sytë nga drita, me vështrimin ngulur te këmbët, duke u lëkundur e duke u penguar, me mamuzet që i kapeshin njëra me tjetrën, mori rrugën e kthimit.

U kthye në hotel aq i dërrmuar nga lodhja, sikur të kishte bërë një marshim të stërgjatë diku në Turkestan a në Saharë. Duke mbledhur fuqitë e fundit, hyri në dhomën e tij të madhe e të zbrazët. Dhoma ishte rregulluar tashmë, e zhveshur nga gjurmët e fundit të saj — vetëm një karficë flokësh, që ajo e kishte harruar, rrinte mbi tryezëzën pranë shtratit!

Ai hoqi tunikën dhe vështroi veten në pasqyrë: fytyra e tij — ajo fytyrë e zakonshme oficeri, e përhimët nga nxirja, me mustaqet e zbehta, të zbardhura nga dielli, dhe me të bardhat kaltëroshe të syve, që nga nxirja e fytyrës dukeshin edhe më të bardha — kishte tani një shprehje të ethshme, të çmendur; ndërsa në pamjen e tij, me këmishën e hollë të bardhë dhe jakën e ngritur të kollarisur, kishte diçka rinore e thellësisht të mjerë.

U ngrit pa ngut, pa ngut u la, ngriti perdet, i ra ziles dhe kërkoi samovarin e llogarinë; piu gjatë çaj me limon. Pastaj urdhëroi të thërrisnin një karrocier e të nxirrnin bagazhet dhe, teksa ulej në karrocën e hapur, mbi ndenjësen e saj kuqërreme, të zbehur nga dielli, i dha shërbëtorit plot pesë rubla.

– Me sa duket, zotëri, qenkam unë ai që ju solla mbrëmë! – tha hareshëm karrocieri, duke marrë frerët.

Kur zbritën në skelë, mbi Vollgë po kaltëronte tashmë nata e kaltër e verës; shumë dritëza shumëngjyrëshe qenë shpërndarë mbi lumë dhe dritat vareshin në direkët e vaporit që po rendte drejt skelës.

– Ja, ju solla tamam në kohë! – tha karrocieri me një ton lajkatues.

Togeri i dha edhe karrocierit pesë rubla, mori biletën dhe doli në skelë… Përsëri, si mbrëmë, u ndie përplasja e butë kur vapori preku skelën dhe një marramendje e lehtë nga lëkundja nën këmbë; pastaj fluturoi litari i ankorimit, u dëgjua zhurma e ujit që vëloi e vërshoi përpara nën rrotat e vaporit, i cili ishte tërhequr pak prapa… Dhe vapori, tashmë i ndriçuar kudo, plot me njerëz e me erën e gatimeve, iu duk jashtëzakonisht mikpritës e i këndshëm.

Pas një minute, vapori vazhdoi të rendte përpjetë lumit, në po atë drejtim ku ishte larguar edhe ajo më herët po atë mëngjes.

Muzgu i errët i verës po shuhej larg përpara dhe pasqyrohej në lumë, i mugët, i përgjumur e shumëngjyrësh; larg, nën të — nën atë muzg — lumi vezullonte ende aty-këtu me valëza që dridheshin, ndërsa dritat e shpërndara rreth e rrotull në errësirë rrëshqisnin e rrëshqisnin prapa.

Togeri rrinte ulur nën tendë, në kuvertë, duke u ndier sikur ishte plakur dhjetë vjet.

Alpet Detare

1925


Send this to a friend