VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Kongresi Shqiptar i Elbasanit – Letra e Mit’hat Frashërit dërguar drejtorit të “Journal de Salonique” (5 shator 1909)

By | March 2, 2018

Komentet

Kampet e Internimit – “Shkolla dhe Universiteti” Ynë ! Dinjiteti dhe Krenaria Jonë!

Ky ish kamp interrnimi – Savra, ashtu si dhe gjashtë kampet(Gjaza,Grabiani,Pluku, Rrapez, fshati Kosovë e Lushnjes, dhe Çerma), e tjera të rrethit të Lushnjes, dhe ish kampet e interrnimit, në rrethin e Fierit, dhe të Vlorës, për nga përbërja intelektuale dhe fisnore, ishin dhe shërbyen si shkolla dhe universitete, për të gjithë ata që u presekutuan dhe kaluan jetën e tyre, për afro 50 vjet në kampet e interrnimit nën diktaturë.

Në ato kampe që për fat-keq – po zhduken një e nga një, edhe nga kujtesa, ishin vendet ku të paktën ne fëmijët e atyre kampeve – morën më shumë dije e kulturë, bile edhe më shumë se në shkollat e komunizmit.

Dhe, ajo që dallojë dhe i bëri të veçantë, këta njerëz edhe sot në liri – ishte se çdo gjë e bënë, pa “pyetur” se nga vije, nga çfarë krahine ishe, pa pyetur kurr se ishim mysliman, katolik, ortodoks, e tjer,. Pa pyetur se sa larg apo sa afër ishim me njeri tjetrin. Pa pyetur sa e vështirë ishte të lidheshim dhe të krijonim edhe familje me njeri tjetrin, edhe atje në kampet për rreth dhe në rrethe të tjera……

Të presekutuarit, zgjodhën dhe u bëmë shok jete, edhe me djem e vajza nga ana tjetër e kampit pa i pyetur ne ata dhe ata pa na pyetur ne ….por që së bashku krijuam dhe kaluam në një shoqëri të rinjësh të asaj kohe, shoqëri që shumë prej nesh e ruajmë edhe sot megjithse jemi kaq larg gjeografikisht.

Savra e tre dekdave më parë, shtëpia dhe shkolla jonë, sot përfat keq – hesht aqsa prej “erozionit” demokraci, por edhe të ikjes, masive nga kampi interrnimit. ”Hesht”, dhe i ka humbur ajo “bukuri”, që kishte 29 vjet më parë.

Mirë po duhet thënë, e duhet pranuar nga të gjithë, që edhe ashtu si ishte ajo dikur gumëzhinte, dhe megjithëse ishte kamp interrnimi dhe fshat, vetëm aty banorët e saj, në jet, kultur, dhe veshje bënin jet qyteti dhe pse mos me thënë kryeqyteti në atë kohë…..

Dhe, kjo padyshim vinte nga jeta vitale e prindërve, apo atyre që ishin më të rinjë se prindërit tanë, që trasmetonin dicka te fëmijët e kampeve të interrnimit, që u lindën në ato baraka, dhe, që mblidheshin çdo ditë në shtëpit që u bën shkolla dhe universitete,. Ngaqë ato shtëpi, ato kampe interrnimi ishin bërë edhe bankat e dijes me “mësuesit”, që ishin prindërit tanë, ku një pjesë e tyre, kishin përfunduar edhe shkollat dhe universitetet, në Itali, SHBA, Gjermani, Francë, Greqi, ish Jugosllavi, Turqi, Siri dhe Egjypt.

Pikërisht, janë ata që ne i kemi edhe sot të skalitur në kujtesën tonë.

Dhe, tani kan rrjedhur më shumë se tre dekada – dhe, vitet kan bërë punën e vet, por ishte dikush nga ne qe ai që e ndezi një “llambë” dëshire, për t’u takuar e çmallëzuar, pra ai, i cili e ideojë dhe thirri një takim vjetor në Savër – Lushnje.

Duke caktuar kështu javën e parafundit të Gushtit, përvjetorin e largimit, nga kampet e interrnimit, për tu bërë përsëri së bashku në një takim vjetor, të cilin ish të interrnuarit, thonë se kan si synim ta bëjnë tradicional, këtë inisiativë të ish të internuarve nga kampet e interrnimit në Lushnje, e cila erdhi me një ide të Sofo Kuqeshit, dhe mbështetur nga Tefta Çapo – Mersini dhe Gëzim Baruti.

Dhe, ja ku janë së bashku, edhe sot megjithëse të paktë në numër, për shkak të largësisë, apo edhe mundësisve jo të mjaftueshme, largmit nga kjo jet e tier e tjera…..! ata pak nga pak , edhe më të organizuar, po e mbajnë atë takim vjetor në Savër të Lushnjes, dhe simbas rastit edhe do ta shtrijnë edhe në kampet për rreth.

Në atë që katër vite më parë, u zgjodh muaji Gusht, muaj ky i cili për ne shqiptarët, konsiderohet si muaji i bekuar. Mbasi, është ky muaj i verës, ai që i sjell dhe i bënë së bashku, shumë shqiptarë që janë larguar nga vendi i tyre në emigrim, dhe, zgjedhin pikërisht këtë muaj, ashtu si qershorin dhe korrikun, muajin e fund-verës, të kthehen në vendlindjen e tyre.

Ngase edhe Vera, është ajo që më së shumti për ne shqiptarët, njerëzit që i shofim më rrallë, që të paktën një herë në vit ose edhe më rrallë, i sjell dhe i bënë bashkë më familjet e tyre, me miqt dhe shokët ngado që ata vinë dhe që janë……..

Edhe, këtë vit si katër vjet më parë në një njoftim, ose ftesë në rrjetet sociale në Facebook, apo Instagram, Twitter e tijer, e bërë nga Sofokli Kuqeshi, ashtu si katër vjet më parë, së bashku me Tefta Çapo – Mersini dhe Gezim Baruti, vitin kur pikërshit u shënua dhe 25 vjetori i largimit masiv nga kampet e interrnimit, ju përgjigjen me Po! Bile me mall e përmallim, dhjetëra ish të përndjekur politik, që kaluan një jetë të tërë në ato baraka të kampeve të interrnimit – Savrës, 3 kilometra larg Lushnjes.

Erdhën, dhe u bën kështu bashkë spontanisht , ato dy a tre familje që kishin mbetur në Savër, së bashku me ata që kan shkuar në Lushnje, apo në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Korçë, Sarandë, e gjetkë, dhe, disa të tjerë, erdhën edhe nga vendet fqinjë, Greqia e Italia, por edhe nga Amerika e Kanadaja e largët, për të vazhduar traditën…..

Duke e bërë atë si një traditë e bukur, që ashtu duhet të vazhdojë nga që malli, dashuria dhe respekti mbi të gjitha për njeri tjetrin, vuajtjen tonë të përbashkët të përpjestuar, të mos njohin ndarje nga e kaluara jonë, e cfarë do largësie gjeografike, apo edhe ndonjë “qefëmbetje”, qoftë ajo shoqërore apo familjare.

Pra, megjithëse të ndarë tashmë gjeografikisht në çdo cep të Shqipërisë, dhe globit, le të bëhemi përsëri së bashku, në një ditë të vitit – ashtu si e kan caktuar në Gusht. Simbas mundësive të bëhemi bashkë aty ku lindëm dhe u rritëm, në shtëpit tona, aty ku morëm “shkollën dhe universitetin tonë”, aty ku tani mbas 29 vjetëve ka mbetur ndonjë gërmadhe e atyre barakave të mjerimit, aty ku lindën e u rritën fëmijët e kampit të Savrës, aty ku jetuan prindërit tanë.

Sepse, edhe ato pak gërmadha që kan mbetur, edhe ata pak njerëz që kan mbetur në Savër, kampin e interrnimit, janë ende gjurmët e vërteta, megjithse kan kaluar tre dekda, në çdo prag të atij kampi interrnimi që quhej Savra, cdo njeri ka shumë që tregojë se aty kan jetuar njerëz me plot dinjitet dhe krenari./BS

Dalin faturat – Ministrja e Drejtësisë në hotele luksoze gjatë udhëtimeve jashtë shtetit, mbi 700 euro një natë

Dalin faturat e udhëtimeve jashtë shtetit të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Faktoje.al ka postuar sot faturat, sipas te cilave në udhëtimet  e punës gjatë vitit 2018 deri në qershor të vitit 2019, ministrja Gjonaj ka qëndruar në hotele luksoze me çmime që e kalojnë shifrën 700 euro nata.

Por nuk mjafton vetëm kaq. Kostot e biletave me të cilat fluturon ministrja e Drejtësisë rezultojnë më të shtrenjta sesa biletat që një individ i thjeshtë mund t’i rezervojë online.

Hotele të shtrenjta

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj është akomoduar në të shumtën e rasteve, në hotele me pesë yje që kanë çmime “të kripura”.

Në një prej udhëtimeve të saj të punës në Bruksel, nga data 19 deri në 21 qershor të vitit 2018, Gjonaj ka paguar 1320 euro për dy netë ose 660 euro nata në hotelin e quajtur “The Hotel Brussels”.

The Hotel Brussels/ Foto: Faqja zyrtare e internetit

Fatura nuk ka shpjegime të detajuara se në çfarë lloji dhome është akomoduar ministrja që e ka bërë këtë rezervim dy-ditor kaq të shtrenjtë por mjaftohet me emrin e ministres si blerësi dhe çmimi total i konsiderueshëm. Rezervimi është bërë nga një kompani shqiptare e quajtuar Albania Experience.

Ministrja në këtë udhëtim pune është takuar me komisioneren Vera Jourova për të diskutuar lidhur me Reformën në Drejtësi, ecurinë dhe arritjet në zbatimin e saj.

Fatura e Brukselit, udhëtimi 1

Po në Bruksel, gjashtë muaj më vonë, në dhjetor Gjonaj është akomoduar për një natë në një hotel me pesë yje i quajtur “Steigenberger Wiltcher’s” me kosto 543 euro.

Ministrja është akomoduar në një nga dhomat më të mira (Superior King Buffet).

Steigenberger Wiltcher’s/ Foto: google.com

Ministrja ishte në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin e 19-të Evropian të Ballkanit Perëndimor 2018 mbi “Zgjerimin, Integrimin dhe sfidat e ndryshimeve”.

Fatura e Brukselit, udhëtimi 2

Në datat 4 deri më 6 shkurt të vitit 2019 ministrja ka udhëtuar drejt Londrës ku është akomoduar në një prej hoteleve më të shtrenjta të kryeqytetit britanik. Rezervimi për dy netë i ka kushtuar ministres 1291 paundë ose e përkthyer në euro rezulton se ministrja e Drejtësisë ka shpenzuar 706 euro për një natë.

Ministrja ka udhëtuar me tre persona të tjerë të ministrisë teksa vetë është akomoduar në “Corinthia Hotel London” i cili njihet si një prej hoteleve më luksozë me pesë yje në Londër.

Corinthia Hotel London/Foto: google.com

Corinthia Hotel London/Foto: google.com

Në këtë udhëtim, ministrja ka takuar ministrin britanik të Burgjeve dhe dy zyrtarë të tjerë.

Fatura e Londrës

I ngjashëm është rasti i Parisit ku ministrja ka qëndruar për tre netë nga data 4-7 maj të këtij viti në hotelin me pesë yje “Majestic Hotel Spa”. I gjithë rezervimi shkon në shumën 2014 euro, ose 670 euro nata. Hoteli në fjalë është nga më të shtrenjtët dhe më të mirët në Paris.

Majestic Hotel Spa, Paris/ Foto: google.com

Gjatë këtyre tre ditëve ministrja ka pasur takime me homologen e saj dhe institucione të tjera të drejtësisë franceze.

Fatura e Parisit

Një nga qëndrimet e saj më të shtrenjta jashtë shtetit ministrja Gjonaj e ka paguar në Romë. Ajo ka fjetur vetëm një natë nga data 21 deri 22 maj të këtij viti në hotelin luksoz me pesë yje “Ambasciatori Palace” dhe kjo i ka kushtuar shtetit shqiptar plot 706 euro.

Ambasciatori Palace Hotel, Rome/ Foto: google.com

Në këtë udhëtim pune ministrja ka takuar homologun e saj italian Alfonso Bonafede.

Fatura e Romës

Hotelet e shtrenjta nuk mbarojnë për ministren e Drejtësisë. Në një udhëtim pune nga data 3-6 qershor të këtij viti në Berlin të Gjermanisë, ministrja Gjonaj është akomoduar në hotelin Hilton me një kosto totale prej 1900 eurosh. Nisur nga këto të dhëna rezulton se kostoja e një nate ka qenë 630 euro.

Hotel Hilton Berlin/ Foto: google.com

Siç shkruante asokohe ministrja në rrjetet sociale, ajo ishte takuar me përfaqësues të Bundestagut Gjerman dhe kishte marrë pjesë në  Konferencën Ndërkombëtare “One Forencics”, Forencic and Integrity Services bashkë me ministrin shqiptar të Brendshëm Sandër Lleshi.

Fatura e Berlinit

Edhe në një udhëtim të saj në rajon, ministrja e Drejtësisë është akomoduar në hotel të shtrenjtë me pesë yje. Gjonaj ka zgjedhur “Swiss Diamond Hotel Prishtina” në Kosovë për një natë nga data 25-26 mars i këtij viti. Hoteli në fjalë njihet si më luksozi në vend.

Kostoja për një natë në këtë hotel ka qenë 238 euro. Edhe pse kostoja është më e ulët se në hotelet e kryeqyteteve europiane, ministrja sërish është akomoduar në një hotel luksoz me pesë yje.

Swiss Diamond Prishtina/ Foto: Booking.com

Siç shkruan ministrja në faqen e saj zyrtare ne Facebook, ajo ka takuar homologun kosovar Abelard Tahiri ku kanë folur për bashkëpunimin midis dy shteteve në fushën e drejtësisë.

Fatura e Prishtinës

Bileta avioni “në qiell”

Përpos akomodimit, transporti i ministres së Drejtësisë drejt destinacioneve europiane në disa raste rezulton i shtrenjtë. Shifat tregojnë se ministrja ka fluturuar disa herë më shtrenjtë se një qytetar i thjeshtë i Shqipërisë. Edhe pse Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” njihet si një nga më të shtrenjtët në rajon dhe jo vetëm, shifrat e udhëtimeve me avion të ministres janë disa herë më të larta se të një udhëtari të thjeshtë shqiptar.

Sipas dokumentave të zotëruara, biletat e udhëtimeve janë bërë me tender.

Një udhëtim në Berlin të Gjermanisë me avion për ministren Gjonaj dhe një person tjetër nga ministria në qershor të këtij viti ka kushtuar në total 432,250 lekë. Udhëtimi rezulton me tranzit Vjenën në vajtje dhe Frankfurtin në ardhje. Nëse kërkohet në platformat online të rezervimeve të biletave si Skyscanner, për të njëjtat data por për vitin 2020 dhe të njëjtin destinacion, shifra rezulton disa herë më e vogël. Edhe nëse kërkohet për datat e tanishme (gushti), çmimi është 3-4 herë më i ulët.

Rasti tjetër kur biletat e udhëtimit kanë pasur kosto të lartë ka ndodhur në Bruksel, ku për dy persona, duke përfshirë ministren, shteti shqiptar ka paguar plot 321,360 lekë.

Një udhëtim normal me avion nga Tirana për në Bruksel për dy persona sipas motorëve online të fluturimeve zakonisht nuk shkon më shumë se 150,000 lekë.

Rastet me bileta të shtrenjta dhe potencialisht të fryra nuk mbarojnë. Ministria e Drejtësisë ka paguar për dy persona (përfshirë ministren) për destinacionin Tiranë-Strasburg-Tiranë plot 490,200 lekë.

Buxheti i Ministrisë së Drejtësisë

Për vitin 2019 dikasteri i Drejtësisë ka programuar një buxhet total prej 12,2 miliardë lekësh. Në krahasim me vitin 2018 kur buxheti ishte 10,4 miliardë lekë, buxheti këtë vit është me rritje.

Me rritje është edhe fondi për shpenzimet e udhëtimit të punonjësve jashtë vendit, ku përfshihen edhe shpenzimet e ministrit.

Për vitin 2018 fondi i planifikuar ishte 14.5 milione lekë ndërkohë që për vitin 2019 fondi në total i planifikuar është 15 milionë lekë.

Në bazë të faturave që “Faktoje” ka edhe për dy ministri të tjera, rezulton se ministrja e Drejtësisë është akomoduar në hotele më të shtrenjtë se dy prej kolegët e saj.

“Nana ime jeton me çorapen e vëllait të vdekur”, rrëfimet e të mbijetuarve të kampit të Tepelenës: Sa shumë kanë vdekur aty…

Seiti, Marta, Melamiu, Filipi, Gjoni… janë sot 70-80 vjeç, por në shpirtin e tyre janë akoma fëmijët që kaluan vitet e para të jetës në kampin e Tepelenës.

 

Kujtimet e tyre janë të ndryshme, por bashkohen të paktën në dy fjalë; Uria dhe Vdekja; dy fjalë që u kanë shënjuar fëmijërinë dhe më tej gjithë jetën.

Ata dhe qindra të tjerë e dinë që janë me fat, me shumë fat, sepse i kanë shpëtuar vdekjes nga uria dhe vdekjes nga tifoja, që u mori jetën të paktën 300 fëmijëve e qindra pleqve në këtë kamp ku i internuan më shumë se 1 mijë familje nga komunizmi në vitin 1949.

Por a është fat që gjithë pjesën e mbetur të jetës ta jetosh duke kujtuar ujin me vajguri, bukën me krimba, lakrën që e haje si karamele pas 3 ditësh pa futur asgjë në gojë, apo të shohësh ëndrra shokun tënd të lojës që u hodh në ajër nga shpërthimi i minës, të kujtosh varrimin e familjarëve…?!

“Në këtë vend Zotin e bën të heshtte. Në këtë vend Zoti ka derdh lot”. Nuk ka përkufizim më të gjetur që i shkon atij vendi me bar të shkretuar dhe baraka të rrënuara se sa këtu dy fjali të Dom Gjergj Metës, i cili kishte udhëtuar nga Mirdita me të mbijetuarit e këtij kampi dhe familjarë të atyre që vuajtën këtu.

Në atë vend janë varrosur fëmijë që Zotit iu ndalua t’i shpëtonte. Ata fëmijë të pafajshëm ishin dënuar nga komunizmi. Po duket se janë dënuar dhe nga harresa. Edhe pse ka dëshmitarë për varret e tyre që gjenden të mbuluar nga ferrat rreth e rrotull kampit, akoma shteti shqiptar, 30 vite pas rënies së regjimit komunist, nuk ka ndërmarrë një hap për t’i gjetur, për t’i zhvarrosur, për tu vënë një emër dhe për tu kthyer dinjitetin.

Përpjekjet e vetme kundër harresës janë bërë nga familjarët e tyre dhe pelegrinazhi përkujtimor çdo 23 Gusht nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve dhe shoqatat e të përndjekurve politikë.

Por për ta nuk mjaftojnë dy fjalë, një kurorë me lule dhe ca pika lot!

Nuk mjaftojnë as qiparisat e mbjellë aty ku ranë fëmijët… nuk mjafton asnjë falje (që akoma nuk e kanë marrë) asnjë dënim ( që asnjëherë nuk u dha) asnjë hakmarrje (që askush se kreu)….asgjë nuk mjafton për të shlyer këtë mënxyrë të komunizmit.

Kush vjen një herë në Tepelenë e ndjen se ka shkelur në një tokë të larë me gjak fëmijësh të pafajshëm dhe amaneti i tyre e ndjek nga pas… Kush shkel një herë në këtë vend që nuk e ka marrë mundimin njeri as ta rregullojë, as ta bëjë muze, as të vërë një tabelë rruge që të çon atje, nuk mund ta shkulë më nga kraharori dhimbjen, pasi kupton se sa shumë vuajtjeje njerëzore është konsumuar në kaq pak metra katrorë.

Nuk mund të mbetet kjo vuajtje vetëm në kujtimet e atyre që vuajtën. Ajo duhet treguar, duhet trumbetuar më zë të lartë, duhet njohur, duhet nderuar siç duhet, ndryshe ajo do të jetë një plagë e hapur që do e mbajmë me vete përgjithmonë.

Rrëfimet e fëmijëve të kampit të Tepelenës:

Marte Ndoj: Na jepnin bukë me krimba e ujë me vajgur

Marta ishte betuar që nuk do të shkelte më kurrë në Tepelenë ku fati i keq e kishte sjellë kur ishte vetëm 9 vjeç bashkë me nënën e gjyshen e saj, ndërsa babai, vëllai dhe xhaxhai i saj kishin tentuar të arratiseshin, por nuk janë gjetur asnjëherë.

Djemtë e Martës i dhanë kurajo dhe e sollën vetë nanën e tyre në kampin e Tepelenës pas afro 70 vitesh për të dhënë dëshminë e saj për kushtet çnjerëzore në të cilat kanë jetuar mijëra shqiptarë aty.

“Çmendesh me e kujtu shumë, por jam mundu me e largu.  Kam thënë në jetën teme s’kam për të shku ma në Tepelenë, po ja ku erdha.  Këtu kemi kaluar shumë vuajtje.  Na vinte buka me krimba, uji me vajguri. S’kishe ku me lujt, ku me shku se ishim rrethu me tela me gjemba. Njerëz të vdekur kishte. Më ka vdek gjyshja, e kanë varros këtu te varrezat. Pas 6 javësh na thanë duhet ta nxjerrim prej vorrit ta çojmë te varret e tjera, atje buzë lumit, dhe e mori lumi.”- tregon Marta. Ajo qan gjithë kohës për vuajtjet që ka kaluar në fëmijëri, kujtime që asaj i shënjuan gjithë jetën e mëpasme dhe ua tregon sot dhe fëmijëve e nipërve të saj.

 

Melami Agolli, nga Amerika në Tepelenë për kujtimet e dhimbshme të fëmijërisë

Melami Agolli, ka qenë 5 vjeç kur ka mbërrit në kampin e Tepelenës. Ai u internua bashkë me familjen nga Peshkopia. Në këtë kamp kaloi 5 vite të fëmijërisë dhe kreu dhe klasën e parë, kurse sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kam ardhur me nënën dhe dy motrat dhe kemi qëndruar 5 vjet këtu. Këtu kam bërë klasën e parë dhe dilnim tek dera, ku ishte komanda e policisë. Ne kishim një racion buke 400 gramë dhe ujë me krimba që nuk futej në bark. Sa fëmijë kanë vdekur këtu… Dhe unë isha gati për të vdekur. Më ka shpëtuar një grua që kishte me vete një penicilinë amerikane që s’di si e kish siguruar. Më bënë atë gjilpërën dhe shpëtova se këtu ra tifoja dhe vdiqën fëmijët.

Edhe kampet e Hitlerit nuk kanë qënë kështu se nuk kishte fëmijë e pleq të vjetër. Kishte burra e gra.  Këtu ishte më keq se kampet e Hitlerit. Familjen time e internuan se babai ishte nacionalist. Në vitit 1944 u dorëzua ai si shumë të tjerë, e dërguan në Jugosllavi dhe e dënuan jugosllavët se Enver Hoxha komandohej nga Tito. Në vitit 1949 kur u prishën marrëdhëniet me jugosllavinë, babain e liruan atje, kurse ne na internuan nga fshati Kërçisht i Peshkopinë këtu në Tepelenë.

Është hera e parë që vij.

Kam një nostalgji dhe jam shumë i impresinuar se isha fëmijë dhe bridhnim këtu e loznim me topa lecke. Kujtoj aty ishin tualetet dhe atje ishte kuzhina ku merrnim një ujë me tas që nuk futej në gojë, shumica jetonim me gorica këtu se skishim si të mbijetonim. Ata që mbijetuan, se shumica vdiqën.  I mbaj mend shokët e fëmijërisë, Sokol, Zef e Simon Mirakajn, e të tjerë, se i kisha në klasë,  shkonim në shkollë bashkë. Kur ktheheshim nga shkolla atje në rrugë ishte një lenë, nga ato që as derri se hante. Po ne i binim me gurë dhe i rrëzonim e i hanim se na grinte uria”.

Hamit Bala: Nana ime jeton me çorapen e vëllait të vdekur

Hamit Bala nga Tropoja tregoi historinë e nënës së tij, e cila ka qenë 13 vjeç në këtë kamp dhe ka humbur vëllain e saj të vogël nga një minë që i shpërtheu kur luante në kampin e Tepelenës.

“E kam sjellë nanën time para dy vitesh këtu po ajo pësoi goditje në zemër se nuk duroi dot dhimbjen. Më tha kam ardh me vëlla këtu dhe kam dalë pa vëlla. Dhe kockat që i ishte në tokë thoshtë janë të vëllait tim. Ajo ka vetëm një çorape të vëllait të saj që e mban në zemër. Kanë kaluar 50 vite te atij sistemi dhe 30 vite tani, secili nga ne duhet të bëjë diçka për ata shpirtra që kanë ikur, për prindërit tanë..”

 Filip Gjonmarku: Lakra na u duk si karamele pas 3 ditësh pa bukë

Uria dhe skenat e vdekjeve janë dy prej kujtimeve më të shpeshta të fëmijëve që ishin në kampin e Tepelenës.

Filip Gjonmarku ishte vetëm 5 vjeç kur ka ardh në kamp me nënën, vëllain dhe gjyshen.

“Babën e kisha të dënuan në burgun e Burrelit me burgim të përjetshëm. Axhën tim e dënuan me varje. Gjyshin tim e dënuan me burg të përjetshëm ndërsa babën tim me varje, po gjyshi i kërkoi trupit gjykues që t’ia falte jetën të birit e të varej ai në vend të tij dhe ata e pranuan. Po baba ka vdek në burg edhe sot nuk e dimë ku është trupi i tij.

I mbaj të gjitha kur erdha në Tepelenë. Këtu ka qenë një kamp shfarosje.

Dy momente do të veçoj;  Kam qënë duke lujt me dajën e Hamit Balës. Po na thirri nana se i kishin çuar një kile miell dhe na kishte përgatit një qull e na thirri eja se e bana gati. Ne e lamë atë duke nxjerrë zarat dhe sa u largum pak vetëm kur plasi mina e hodhi përpjetë.

Një herë tjetër ngelëm 3 ditë pa hangër. Imagjinoni fëmija 5 vjeç, 3 ditë pa bukë. I thotë nana një kushëririt tonë që shkonte për dru në pyll na bjer noj gja se po më vdesin fëmijët për bukë. Edhe ai na solli një lakër. Unë, vllai, nana ime dhe gjyshja e kemi shkatërru atë lakër si me qenë një karamale.”

 Gjon Marku: Mbijetonim me lakra

 “Kam ardhur 7 vjeç këtu në Tepelenë. Mbaj mend se ushqimet ishin të tmerrshme. U helmuan 30 fëmijë. Këtu kanë vdekur 300 fëmijë e pleq dhe i varrosnin pastaj pranë lumit të Vjosës që tua marrë dhe eshtrat se ata ishin apsardhës të familjeve më të mira të Mirditës dhe komunizmi donte t’ua zhdukte dhe fëmijët.

Kemi hangër lang me laknishte i thoshim na me gjyshin e nanën që ishte 80 vjeçe, Ky ka qqenë kampi i shfaqrosjes. Nëse i takon një kampi për tu bërë muze ky është vendi që duhet bërë muze.

Pas Tepelenës vujtëm 45 vjet nëpër kampe. Njerëzit që na kanë vdek i kemi varros vetëm se as na vinin në mort e as në dasëm kurrkush. Kemi pas një terror të jashtëzakonshëm.

 

 Seit Petrela i tregon mbesës vuajtjet e Tepelenës

Seit Petrela dhe 3 vëllezrit e tij të gjithë fëmijë nga 1.5 vjeç deri 10 vjeç ishin jetimët që hapën dyert e kampit famëkeq të Tepelenës. Autokollona që i sillte në kamp u përmbys rrugës dhe prindërit e tyre vdiqën që të dy në rrugë. Katër jetimet dhe halla e tyre 16 vjeç mbijetuan në këtë kamp nga uria dhe tifot. Më 23 gusht gjatë përkujtimores në këtë kamp Seiti ka sjellë mbesën e tij Tean me vete dhe i tregon nëpër lot vuajtjet e tij.

“Gjyshi yt, pa mbushur 2 vjeç ka qenë i internuar në kampin e Beratit bashkë me vëllezrit, prindërit dhe hallën që ishte beqare. Pasi ndenji një kohë të gjatë në internim, u krijua ky kampi i Tepelenës dhe ata që ishin në kampe të tjera internimi, si Kuçova, etj., u grumbulluan në Tepelenë.

Dhe gjyshin tënd bashkë me familjen e morën ta sillnin këtu. Më datën 13 maj të vitit 1949 u nisëm me një autokollonë me shumë familje. Gjyshi yt nuk e kujton se isha i vogël, po të gjitha faktet i kam nga familjarët e mi.

Rrugës për Tepelenë nga Berati, rrugës që kalonte nga Këlcyra, një rrugë e vështirë, makina ku ishte gjyshi jot me prindërit e tij gremiset dhe në atë aksident dy prindërit humbën jetën.

Duhet të themi që ka Zot, se si ka mundësi që duhet të shpëtoj unë 1 vjeç e gjysëm dhe prindërit e mi të vdesin.

Vera Dema që ka qenë dhe ajo me familjen atë ditë, ka thënë se e kemi hapur varrin e tyre me kapak tenxheresh.

…dhe autokollona vazhdoi rrugën me mua të vogël dhe tre vëllezrit e mi, më i madhi 10 vjeç. Prindërit i varrosëm aty anash rrugës.

Po ti mos qaj të keqen gjyshi. As gjyshi nuk duhet të qajë. Duhet të jemi të fortë.

Dhe erdhëm në Tepelenë, ashtu siç ishim.

Nuk di çfarë të them gjyshi, nuk e di kush është kujdes për ne. Ishin të gjithë njerëz të sërës tonë dhe ata e kanë ndjerë më shumë atë dhimbjen.  Dhe mbetëm në këtë kamp, që ashtu siç e ka emrin e kalon fjalën “gulag”.

Ti, të keqen gjyshi nuk duhet të qash. Gjyshi yt asnjëherë gjatë jetës së vet nuk është krenuar me këtë fatkeqësi që i ka ndodhur. Unë them që çdo njeri që ka vuajtur duhet të krenohet nëse ka ditur ta përballojë me dinjitet, me ndershmëri këtë fatkeqësi që i ra. Gjyshi yt të ka lënë ty një emër që të jesh krenare.”

Blerina Gjoka/ Kujto.al

Gazeta franceze (1929) – Mbreti Zog – kryeministrit Koço Kota (Letër): “Të zëvendësohen zyrtarët e paaftë! Universiteti të merret me arsimimin e grave! Të bëhet reforma agrare…”

Mbreti Zog dhe kryeministri Koço Kota

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Gusht 2019

 

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të dielën e 20 janarit 1929, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me udhëzimet e mbretit Zog për zbatimin e programit të ri qeveritar, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Programi i qeverisë shqiptare

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Tiranë, 29 Janar. Zyra e shtypit shqiptar publikon informacionin e mëposhtëm :

 

Në transmetimin e dekretit që emëron ministrat e rinj tek Presidenti i Këshillit (Koço Kota), Mbreti dërgoi një letër në të cilën përcakton udhëzimet e përgjithshme për zbatimin e programit qeveritar. Pikat kryesore të programit të mëparshëm të kabinetit mbeten në përmbajtjen e programit të ri. Zyrtarët e paaftë do të zëvendësohen me ata kompetentë. Këta duhet të jenë shërbëtorët e popullit sovran. Kompanitë e huaja që dëshirojnë të punojnë në Shqipëri do të gjejnë lehtësitë e nevojshme.

 

Kodi Civil së shpejti do të hyjë në zbatim. Një kod tregtar (komercial) është në përgatitje e sipër. Ministria e Arsimit Publik do të dërgojë studentë jashtë vendit. Universiteti do të duhet të merret me arsimimin e grave.

 

Në një vend aq pjellor sa Shqipëria, nuk duhet të jetë e nevojshme të blihet bukë jashtë vendit, kështu që reforma agrare nuk mund të vonohet. Do të ndërtohen kanalet e ujitjes. Taksa doganore për makineri do të ulet.

 

Populli që paguan taksat pret nga ekzekutimi i punëve publike një shpërblim për sakrificat e tij. Të gjithë shqiptarët do të kuptojnë se interesi i kombit vjen së pari. (Havas).

Rrëfimi: 4 muaj në birucën pa dyshek e pa dritare, supën na e sillnin me krimba

Dokumentari “Gratë mes dhunës dhe stigmës në komunizëm” i shfaqur gjatë aktivitetit përkujtimor në Belsh sjell histori të dënimit të grave në komunizëm. Mes tyre është dhe Fatimja, një fëmijë 14-15 vjeç që u torturua në mënyrë ekstreme në qelitë e hetuesisë komuniste.

Regjimi komunist ishte po aq i ashpër me vajzat dhe gratë sa ç’ishte dhe me burrat.

Historia e Fatime Degës, e dënuar në vitin 1951 deri në 1957 kur ishte vetëm 14-15 vjeç, sjell një tablo tronditëse për torturat që përdoreshin ndaj vajzave e grave në hetuesi. Këto tortura ishin fizike dhe psikologjike, si mbyllja në një qeli bosh pa dritare, pa dyshek dhe me ushqim të keq, siç bënë me Fatimen, apo lënia varur me kokëposhtë për ditë të tëra siç kanë bërë me Bianka Balliçin. Ajo e varur pinte urinën e saj që i shkonte në kokë dhe kur vajti në burg i ra lëkura e kokës bashkë me flokët…Historia e tmerrshme e treguar prej saj, ka ndodhur në burgun e grave në Tiranë.

Rrëfimi i Fatime Deges:

“Qelia ishte bosh, 4 muaj e gjysëm ndenja aty. Nuk kishte as dritare, asgjë. Vetëm në një qoshe ishte një vrimë e vogël po nuk dukej asgjë, ishte errësirë. Ajo ishte për ajrosje më thanë më vonë, po nuk dukej asgjë. Nuk dihej kur ishte ditë apo natë e as sa ishte ora. Drita rrinte ndez natë e ditë në qeli.

Aty kam ndejt 4 muaj e gjysëm pa një dyshek, pa asgjë. Flija me rrobat e trupit, veja gjunjët poshtë trupit dhe mblidhesha kruspull e ashtu flija.

Ata hynin kur ishte orari i bukës dhe sillnin atë tasin me supë, po supa ishte me krimba. Të burgosurit e hanin, të burgosurit aristokratë, ajo nana ime që kishte jetuar në Grac të Austrisë e hante, u kërcisnin krimbat në gojë, po unë se haja. Nuk e hëngra asnjëherë.

4 muaj e gjysëm mbijetova ashtu sa që mora një ngjyrë tjetër, kisha maru krejt. Nuk e di ça ngjyre kisha marrë, a isha zbardh krejt a nuk e di, se atyre u bëri përshtypje se vinin kontroll oficerët.

Haja vetëm pak bukë thatë. Edhe atë pak fare se bukët që sillnin ata i kisha vënë stivë te dera.

Unë isha si njeri i vdekur në kambë dhe më hoqën që aty më çuan në një birucë tjetër. Ajo ishte shumë e vogël, po kishte një dritare.

Kur dola në gjyq mbaj mend isha vetëm me një polic afër, pa lidhur duart.

Kush shikonte në rrugë bënin pu pu pu, gratë kapnin faqet me duar se ai ishte një tmerr nuk kishin parë një fëmijë i mbarum tu shku në gjyq.

Më çuan në burg. Dy dhoma lart ishin për të burgosurat politike 2 dhoma poshtë për ordineret. Mbaj mend mirë se ishte nxehtë, korrik ose gusht, dhe kur jam ngjitur lart atje ishin dyshekë të shtruar anash.

Më vunë në mes të dhomës u ula tek ai dysheku im dhe fillova të qaja me dënesë.

Marta Doda me të bijën ishin në atë qeli. Ajo po bënte grep, e bija po bënte uratën, po ajo e ndërpret i thotë; shko merre atë vajzën e sille këtu tek ne. Dhe ajo erdhi më mori e më futi në mes tyre dhe me ato të dyja nejta gjithë kohën që isha atje.

Çdo ditë, për 3 vite rrjesh vetëm kam qarë se doja nanën.

Kam punu në burg në artizanat, qepja kopsa. Që të të falej një ditë burg duhej të bëje tre norma në ditë, po unë si bëja dot dhe atëherë të gjitha ato gratë që punoshin aty bënin normën dhe ma jepnin mua se u vinte keq.

Në fund të oborrit vinin kazana me ujë që të laheshim. Atje lahej Bianka Balliçi, e shkreta ajo, sa keq më vjen o Zot për të. Nga Balliçët e Elbasanit, e kishte marrë nga Italia e solli këtu dhe e futën në burg si spiune e anglo-amerikanëve. Çfarë është bërë këtu nuk është bërë në asnjë vend.

Biankën e kanë mbajtur të varur me këmbët përpjetë e kokën poshtë, urinonte dhe pinte urinën e vet dhe ajo që ngelej i shkonte në kokë. Kur ka ardh në burgun e grave i ra lëkura e kokës me gjithë flokë poshtë dhe i ngeli vetëm rrashti i kokës. Se si ka ngel gjallë nuk e di… Gjithë ajo Biankë, alamet gruaje, e kishte trupin me gropa nga torturat. E kam parë vetë me sytë e mi.

Aty pashë dhe Musinenë. I vinte vetëm e ëma aty. Kur i vdiq e ëma, nuk i erdhi njeri.

Ishte dhe Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës. Dhe ajo ka hequr keq shumë. Kur e kanë arrestuar e kanë futur në izolim me burrat që ska bërë vaki ndonjëherë.

Unë si duket paskam jetuar vetëm që t’i tregoj këto gjëra. E tmerrshme… e tmershme! Dhe isha nga familje komunistash. E di si më duket sikur më kanë ndodh dhe një herë…nuk harrohen…e tmerrshme…” /kujto.al

Zëri i Amerikës: Shkodër, nisin dorëheqjet e zyrtarëve të bashkisë

Situata e paqartë e ditëve të fundit në drejtimin e Bashkisë së Shkodrës po shoqërohet nga dorëheqjet e zyrtarëve të kësaj bashkie. I pari që dha dorëheqjen është Sekretari i Këshillit të Bashkisë, Suel Hadri. Në njoftimin e dorëheqjes ai bën të ditur se e bën këtë “për arsye personale”. Por besohet se dorëheqja e tij lidhet me konstituimin e Këshillit të ri Bashkiak, i cili zhvilloi mbledhjen e tij të parë ditën e hënë, me datë 19 gusht, në një situatë të tensionuar kur, para mjediseve ku po zhvillohej takimi, mbështetës të Partisë Demokratike protestuan duke tentuar disa herë të çajnë kordonin e policisë për t’u futur brenda në sallë.

Dorëheqja e zotit Hadri pritet të shoqërohet edhe nga të tjera dorëheqje të zyrtarëve të tjerë, gjë që lidhet me situatën e ditëve të fundit në këtë bashki.

Pas kostituimit të Këshillit Bashkiak, Prefekti i Qarkut te Shkodrës Çesk Millja i ka dërguar Presidentit të Republikës, zotit Ilir Meta, një shkresë zyrtare përmes të cilës e informon mbi konstituimin e Këshillit të ri të Bashkisë Shkodër. Gjithashtu, Prefekti Millja njofton Presidentin për vakancën e krijuar në Bashkinë Shkodër pas dorëheqjes së kryetarit të zgjedhur të bashkisë.

Presidenti Meta e ka bërë të qartë se nuk do të dekretoje zgjedhje të pjesëshme dhe se kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, do të ushtrojë detyrën e saj deri në zgjedhjet vendore të 13 tetorit, datë për të cilën nuk janë dakortësuar forcat kryesore politikë në vend.

Në këto kushte, vetë Voltana Ademi është shprehur se do të qendrojë në detyrën e kryetares së Bashkisë Shkodër “për një periudhë tranzitore”, deri në zgjedhjet e reja vendore, të cilat ajo shpreson të zhvillohen bashkë me zgjedhjet parlamentare dhe se nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, të zhvilluara pa opozitën.

Ushtimi i kësaj detyre në ditët e ardhshme pritet të jetë mjaft i vështirë dhe me pikëpyetje. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Dega e Thesarit, ja kanë hequr zonjës Ademi të drejtën e firmës, duke njoftuar përfundimin e mandatit të saj me datën 20 gusht. Tashmë, faturat e Bashkisë së Shkodrës firmosen nga njëri prej nënkryetarëve të bashkisë.

Ndërkohë, është paralajmëruar për javën e ardhshme mbledhja e Këshillit Bashkiak, e cila ka gjasa të autorizojë një prej nënkryetarëve të kësaj bashkie të kryej funksionin e titullarit deri në zgjedhjen e kryebashkiakut të ri.

Situata në Bashkinë e Shkodrës mori një zhvillim të papritur më 13 gusht, kur Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, paraqiti para mediave disa dokumente të ardhura nga Italia, që dëshmonin se kryebashkiaku i sapo zgjedhur i Shkodrës, Valdrin Pjetri, ishte dënuar në vitin 2003 nga gjykata italiane për trafik të lëndeve narkotike dhe se ishte dëbuar nga Italia për një periudhë 10 vjeçare. Zoti Pjetri, i cili fillimisht i mohoi akuzat, me 15 gusht dha dorëheqjen nga marrja e mandatit të kryetarit të Bashkisë Shkodër, duke ia paraqitur dorëheqjen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Këshillit të ri Bashkiak të Shkodrës.

Bashkia e Shkodrës është një nga bastionet e Partisë Demokratike. Ajo është drejtuar nga demokratët që nga viti 1992, me përjashtim të vitit 1996 kur drejtimin e kësaj bashkie e fitoi një formacion i ri politik, me shtrirje lokale, “E Djathta e Bashkuar Shkodrane”.

Ngjarja makabre që tronditi Shkodrën, si i vranë në kufi 2 të rinjtë, kufomat ua shëtitën nëpër qytet

24 gushti i vitit 1989 ka shënuar një ngjarje makabre, që ka tronditur atë kohë, gjithë Shkodrën me rrethina. Dy te rinj nga fshati Hoten i Barbullushit, kushërinj të një fisi, Gjon Mark Kumbullaku, 25 vjeç, dhe Dode Fran Gjerkaj, 22 vjeç, në tentativë për të kaluar kufirin shqiptar të rrethuar me tela me gjëmba në zonën  Sukaj, Dajç, ishin pikasur nga ushtarët dhe ishin vrarë me automatikë. Kufomat i kishin lidhur me tela me gjemba në spondet e një kamioni dhe ishin përçudnuar në një shëtitje makambre në gjtihë Shkodrën dhe fshtarat përreth. Madje, drejtuesit e regjimit kishin urdhëruar që shëtitjen e kobshme ta vijonin edhe në ftyre në Barbullush, përpara shtëpive të dy të rinjve…

I ati i Dodës, Fran Gjerkaj dhe vëllai i Gjonit, Marash Kumbullaku kanë rrëfyer, në emisionin “Dosja k”, ngjarjen që shkatërroi gjithçka në jetën e tyre.

“Dy djemtë tanë ikën dhe u zhdukën. Vetëm kur s’u ngrysën në shtëpi, kurse të nesërmen nga ora 10 e gjysmë apo 11, i kishin vrarë në kufi dhe i kishin lidhur me tela me gjemba. I kishin shëtitur nëpër fshatra, nëpër qytet. I kishin sjellë edhe në Barbullush. Kishin menduar t’i sillnin edhe në Hot, në shtëpitë e tyre… në lagje, ku kishin jetuar e ku kishin familjen”, tregon Fran Gjerkaj me zërin që i dridhet.

“Asgjë nuk dinin, veçse si të rinj kanë menduar të kërkonin një jetë më të mirë. U zhdukën. Asnjë shenjë nuk na kanë dhënë gjatë kohës. Asgjë nuk kemi kuptuar se do të iknin. Nuk kanë qenë njerëz që bënin ndonjë figurë si të pakënaqur, as në shoqëri. Madje, siç thoshin disa gra të fshatit, nuk i kishin njohur mirë as si fytyra, e jo më për këtë gjë. Mirëpo është fati i njeriut që të përfundojë ashtu”.

Atë ditë Frani, kujton se kishte qenë më të vëllanë në Shkodër për të shitur sherebelën e mbledhur.

“Kur erdhëm në Beltojë, e ndaloi vëllai zetorin sepse donte të ulej e të pushonte se ndihej i këputur. Edhe unë ndihesha i lodhur. Në atë kohë po vinin ata me makina e me trupat e lidhur. Dolëm në anë të rrugës, shtruam një batanije dhe kemi qëndruar aty rreth gjysmë ore, sikur të kishim pirë ilaç për gjumë. Kur u çuam dhe arritëm në Krye -Bushat, na pyet një zetorist nga Bushati, nëse e dinim se kush ishin ata nga Hoti që i kishin vrarë në kufi. Vëllai im Gjoni, mendoi se ata ishin nga malësia. Por ai zetoristi na tha se bëhej fjalë për dy djem të rinj që i kishin vrarë dhe i kishin shëtitur me makinë dhe se ata nuk ishin nga malësia por nga fshati Hot, në brinjë të malit. I thashë vëllait se njëri do të ishte Doda. Vëllai më pyeti se çfarë dija unë. I thashë që nëse ata djem janë prej Hotit, Doda nuk kishte ngrysur në darkë në shtëpi, nuk kishte fjetur në shtëpi. Dhe i thashë që ai duhej të ishte. Kur arritëm në Barbullush, Hysni Isufi mori të shkruante dëftesat e sherebelës që dorëzuam në Shkodër. Nuk na shikonte në sy, veçse i dridhej dora prej sikletit që kishte parë të vdekurit e lidhur. Aty kuptuam se çfarë kishte ndodhur. Atëherë unë nxorra një karrige. Kush donte të vinte e të shihte nuk e lejonin, duke i thënë se ne ishim kriminelë. Donin të vinin miqtë e shokët, por i ndalonin e i kthenin mbrapsht. Unë rrija aty..”

Pak metra larg shtëpisë së Franit, familja e kushërinjve, vajtonte po ashtu vdekjen e Gjonit. Marash Kumbullaku e kujton me dhimbje ditën fatale kur mori vesh lajmin e vrasjes së të vëllait.

“Ata, në atë kohë, kanë qenë në aksion, Doda me Gjonin. Kanë shkuar në aksion 1 muaj. Kanë qëndruar rreth 15-20 ditë, pa mbaruar aksioni kanë ikur prej andej. Siç duket e kishin bërë planin bashkë ata të dy, për t’u arratisur. Kanë ardhur dhe kanë ndenjur një natë në shtëpi. Kanë bërë planet bashkë dhe janë çuar të nesërmen. Kanë dalë të dy bashkë me nga një copë bukë në dorë, në rrugë të madhe. Kanë ecur e kanë ecur dhe pastaj kanë blerë një pako me llokume….”

“I ka zënë nata atje. Kanë pritur të dalë drita që të hidheshin në ujë. Kur ka nisur të zbardhë dita, i kanë diktuar dhhe i kanë qëlluar direkt. Kanë vrarë një herë njërin dhe tjetrin e kanë plagosur. Ai tjetri u ka kërkuar që ta vrisnin edhe atë. Ata i kanë qëlluar edhe atij. Pastaj i kanë lidhur me tela me gjemba dhe i kanë vënë mbi spondin e makinës. I kanë shëtitur nëpër fshatra. I kanë sjellë edhe në Barbullush. Pastaj kanë dashur t’i sjellin edhe këtu në Hot, te ne. Kryetari i këshillit, Shaqir Muja, i ka ndaluar. Dhe nuk i sollën, u kthyen”.

Fundi i atij gushti tmerrues për familjen Gjerkaj e Kumbullaku u pllakos nga dhimbja, heshtja e ankthi. As të qanin nuk guxonin. Të kërkonin, trupat e masakruar të djemve të tyre, jo e jo! Por Frani thotë se një moment e gjeti guximin. Nuk mund të jetonte me idenë shkatërruese se ku mund të ishte hedhur kufoma e të birit!!!

“Pas rreth një viti i shkrova një letër Presidiumit të Kuvendit Popullor ku i kërkoja që të më lejonin që eshtrat e djalit të vrarë t’i bashkoja me ato të djalit tjetër sepse 5 vite më parë, më kishte vdekur edhe një djalë tjetër, 21 vjeç, kështu që kur të shkoja te varri, t’i kisha të dy bashkë. Më kthyen përgjigje se nuk më takonte gjë dhe se kështu përfundonin ata që kundërshtonin ligjet e shtetit”.

Me zërin që i dridhet, Frani shton se përpjekjet i shkuan dëm dhe se kishte mbetur i vetëm në përpjekjet për të gjetur eshtrat e të birit.

“Një roje varrezash në Shkodër kishte thënë se e dinte se ku i kishin varrosur, sepse i kishin varrosur natën. Shkoja nëpër varre, shikoja ndonjë të parregulluar dhe thosha që ai ishte varri i djalit tim, se është çmenduri të zhduket djali 22 vjeç e të mos i dish as varrin”.

Franit iu desh të priste afro 2 vjet, sa regjimi komunist të përmbysej e të niste kërkimet për eshtrat e djalit. Dhe vërtet, fati e desh që falë një gruaje malësore, ai ti gjente diku mbuluar me zhavorr eshtrat e të birit… Ishin të dy, në një varr, hedhur njëri nga këmbët e tjetri nga koka, Doda edhe Gjoni!

Frani e tregon kështu peripecinë e gjetjes së eshtrave të dy të rinjve:

“Një grua nga malësia, kishte takuar një djalë që ishte operativi i zonës dhe i kishte thënë: “Ti je djalë spiuni”. Ai i kishte thënë: “Jo, unë kam dashur të haja bukë, nuk jam djalë spiuni se e di një fatkeqësi të dikujt që më lëngon zemra ta kallëzoj, por s’di se kujt t’ia kallëzoj”. Ajo i kishte thënë: “Ma kallëzo mua se jam nënë dhe e gjej se kush është ai”. Ai i kishte thënë se e dinte ku ishin varrosur ata djemtë se e kishte parë vendin dhe i kishte vënë një shenjë që më pas t’ia tregonte dikujt, por nuk dinte se kujt t’ia kallëzonte. Ia kishte treguar atij prej Barbullushi, ai erdhi dhe na tregoi neve. Kemi shkuar natën, në orën 7. Gërmova pak dhe i dolën brinjët. As 50 cm thellë nuk i kishin futur. I kishin lëshuar në një gropë dhe mbuluar me zhavorr. Kur ia gjeta kockat m’u duk sikur po e çoja të gjallë në shtëpi”.

Edhe pse ishin fatlumë në gjetjen e eshtrave, në familjet e Dodës dhe Gjonit s’ka qetësi, pasi në 30 vjet prej askujt nuk morën qoftë edhe një ndjesë. Drejtësia është nëj fjalë e huaj për ta. Marashi me indinjatë thotë:

Ky ishte sistemi i Enver Hoxhës. Por edhe tani nuk është në rregull sistemi, sepse po të vepronte e drejta ashtu siç duhet, duhet të kapet ai person që dha urdhër të lidheshin trupat me tela me gjemba, pas makinës. Ai njeri duhet të dënohet në publik. Të paktën të dihet se kush është. Ndoshta ai mund të jetë akoma në detyrë sot. Është gjynah, kështu mendoj unë.

Vetëm Krishtin e kanë bërë ashtu, e kanë gozhduar. Edhe ata i lidhën me tela me gjemba. Dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për atë punë. Askush. As kur erdhi Sali Berisha në pushtet nuk dënoi njeri. As këta të tjerët po ashtu. Dikush duhet të japë llogari për atë ngjarje.

Nuk po them që të nxirret ai që e ka vrarë, sepse ai ndoshta ka qenë i detyruar, ka marrë urdhër për t’i vrarë, por ai që ka urdhëruar. Është e drejta që ai të kapet.

Unë nuk dua që të vijë dikush e të më kërkojë falje. Shteti duhet të japë llogari për këto punë. Dikush nga shteti duhet të japë llogari dhe ta shoh unë. Të dalë dikush në televizor e të tregojë që filan person ka bërë këtë gjë në atë kohë ..”

Në Hoten të Barbullushit, në shtëpinë e Fran Gjerkës dhe të Marash Kumbullakut,  rrëzë malit të Jushit, orët, ditët, javët, muajt e vitet sikur janë ndalur. Ata të gjithë, kanë mbetur kapur fort pas asaj dite tmerruese të gushtit  1989. Prej atëherë kanë kaluar  afro 30 vite…

Frani, me duart që i dridhen, kap të dy tëmthat dhe përpiqet të gjejë pak ekuilibër për kryet që i rëndon. Pas bisedës, ndjen se është çliruar paksa prej një barre që i rrinte pezull mbi krye prej 3 dekadash…

“Njeriu ka nevojë të tregojë, por nuk mundesh të jesh i fortë në këto situata. Nuk mundesh të flasësh, je i dobët. E kam peng në shpirt”, – thotë ai.

– “Gjithmonë Doda përpiqej të gjente mënyra që ne prindërve të na linte të qetë. Ishte një tip paqësor. Shkoi kot. Por faleminderit Zotit që askujt nuk i pat bërë ndonjë të keqe. Mendoi për një jetë të mirë dhe humbi jetën e vet….”

Admirina Peçi/ Dëshmitë e këtij shkrimi janë  nxjerrë nga emisioni Dosja K – “Shëtitja makabre e dy kufomave”

Kujto.al

Excelsior (1939) – Leka Zogu, trashëgimtari i parë i një froni evropian me origjinë amerikane

Leka Zogu I – Mbret i shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Gusht 2019

 

“Excelsior” ka botuar, të mërkurën e 5 prillit 1939, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me lindjen dhe origjinën e Leka Zogut I, trashëgimtarit të drejpërdrejtë të fronit mbretëror shqiptar, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Oborret mbretërore

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Populli shqiptar po përgatitet të festojë lindjen e trashëgimtarit të fronit, veçanërisht fisi i Matit, i cili jeton në mal, në veri të mbretërisë, në vendin ku lindi N.M.T. Mbreti Zog.

 

Lindja e fëmijës do të ndodhë shumë shpejt (Në fakt, mbreti Leka I lindi ditën e botimit të këtij shkrimi), doktori Weibel, mjeku i njohur vjenez, gjendet në Tiranë që prej një jave. Nëse lind djalë, ai do të jetë trashëgimtari i parë i një froni evropian me origjinë amerikane… Ne e dimë, në fakt, se nëna e mbretëreshës Geraldinë është amerikane.

 

Sipas zakonit, njerëzit do ta mësojnë ngjarjen e lumtur nëpërmjet jehonës së artilerisë : njëqind e një të shtëna nëse është princ, njëzet e një nëse është princeshë.

 

Mbreti Zog ka deklaruar tashmë se djali i tij do të quhet Skënder, përkthimi shqip i Aleksandrit, për nder të heroit kombëtar të Shqipërisë, Skënderbeut. Nëse është vajzë, ajo do të marrë emrin e gruas së Skënderbeut, Donikës.

 

Meqë pallati i ri mbretëror i Tiranës është ende në ndërtim e sipër, mbretëresha jeton në vilën e kunatës së saj, princeshës Senije.

Ish-kryeprokurori i Enverit: Si më përgjoi Bisha me tavllën e cigares

Ka ndodhur që Sigurimi i Shtetit të vëzhgonte e madje të përndiqte fshehtas edhe zyrtarin më të rëndësishëm të institucionit të akuzës. E vërtetë apo jo, kjo mbetet në ndërgjegjen e Rrapi Minos, ish- Kryeprokurorit historik të regjimit komunist, i cili në rrëfimin për “Panorama” pohon se një kohë të gjatë ka qenë i survejuar nga Forcat e Policisë Sekrete, vetëm e vetëm pse nuk kishte firmosur urdhrin e arrestit për sekretarin personal të Enverit. Fakti që ka qenë miku i këtij të fundit, i denoncuar për veprimtari armiqësore dhe agjitacion e propagandë kundër regjimit, kishte lëkundur jo vetëm besimin ndaj tij, por kishte ngjallur dhe dyshime të forta se Kryeprokurori mund të kishte qenë edhe bashkëpunëtor i agjentit të zbuluar rishtas në paradhomën e Enver Hoxhës, në selinë e Komitetit Qendror të Partisë.

Për herë të parë Mino e ka konstatuar se ishte vënë në vëzhgimin e organeve të Sigurimit, kur është thirrur në zyrë të Mihal Bishës, ishdrejtor i Kuadrit të KQ-së për të dhënë sqarime “konfidenciale” për atë që kishte ndodhur me Vahid Lamën. Interesimit të këtij të fundit shprehet ai, iu përgjigja zyrtarisht dhe aty për aty konstatova se dëshmia ime regjistrohej në një përgjues të fshehtë në tavllën e cigares që mbante mbi tavolinë. Që këtej, Sigurimi më vuri nga pas një prej agjentëve të tij që më ndiqte këmba-këmbës. Një tjetër përgjonte ditë natë poshtë ballkonit të shtëpisë. Po si ka vazhduar më tej përndjekja ndaj Kryeprokurorit dhe si mundi t’i shpëtojë ai goditjes së frikshme…

Zoti Rrapi! Si u procedua në Prokurori për ndalimin e Vahid Lamës, në kohën kur ju refuzuat ta firmosnit urdhrin për arrestimin e tij?

Kërkesa për të firmosur urdhrin e arrestimit erdhi në zyrën time. Në fakt, ishte diçka që e prisja nga momenti në moment. Rregulli e donte që aty për aty duhej të firmosja. Sa e lexova, pa u menduar dy herë, ia kalova për ndjekje zëvendësprokurorit të përgjithshëm. Dhe ai e ndoqi si proces deri në fund…

Nuk ra në sy të autoriteteve kompetente kjo shmangia juaj nga ky proces, pa shpjeguar arsyet?

Megjithëse, siç e thashë, ma lejonte procedura që aktfirmosjen edhe mund ta delegoja pa dhënë shpjegime, nuk shpëtova pa u shigjetuar. Ishte diçka që e prisja në fakt. Sulmi nisi në heshtje si nga nëntoka. U futa në një bela të jashtëzakonshme. Kam përjetuar andralla për javë e muaj të tërë. E ndieja këtë në vështrimin e eprorëve politikë, në distancën që mbante ministri i Brendshëm dhe bashkëpunëtorët e afërt të tij, por edhe kolegët e Gjykatës së Lartë. Deri sa u mbyll procesi dhe Vahidi përfundoi në burg, unë e di me çfarë të papriturash jam përballur…

Pak e pabesueshme kjo, përballë atyre provave që i kishit dhënë regjimit në luftën kundër elementëve të papërshtatshëm me të?

E besueshme, e pabesueshme, kjo ka qenë e vërteta. Nuk më shkojnë për moshën dhe karakterin pozat e të përndjekurit. Po ja që kështu ka ndodhur. Deri atëherë, nuk më kishte shkuar në mëndje se do vinte një ditë që do më vinin aparatin e përgjimit dhe do më survejonin kudo që shkoja…

Kur thoni se ju kanë përgjuar, keni fakte, apo nisevijon nga numrat e kaluar ni nga përjetimet emotive të momentit…

Ta them me plot gojën që më kanë përgjuar. Bile më kanë përgjuar edhe në zyrën e Mihal Bishës, që atëherë ishte drejtori i kuadrit të Komitetit Qendror dhe një nga njerëzit më të besuar të Enverit…

Si e keni kuptuar që në zyrën e Mihal Bishës jeni përgjuar?

Unë, për eksperiencën që kisha në sistemin e drejtësisë dhe përvojën dyvjeçare në aparatin e Komitetit Qendror, njihja mirë jo vetëm teknikat e përgjimit, por edhe taktikat speciale që ndiqeshin ndaj elementëve të dyshuar…

Si e dalluat përgjuesin në zyrën e Mihal Bishës?

E dija më herët që në zyrën e Mihal Bishës bëheshin përgjime për raste shumë specifike. Bile, bile, dija dhe aparaturën me të cilën realizohej përgjimi i fshehtë në atë zyrë…

Çfarë ishte kjo pajisje?

Një aparat i vogël, gati i padukshëm, që vendosej në tavllën e duhanit. Mihal Bisha e pi shumë cigaren. Zakonisht mbante një tavllë të madhe mbi tavolinë.

Pra, aparati përgjues ishte instaluar në tavllën e cigares…

Kur e donte puna për të realizuar përgjime të tilla, Mihal Bisha mbante dy tavlla. Këtë e kisha mësuar qysh kur isha në aparatin e Komitetit Qendror. Bile, mbaj mend edhe shakatë që bëja me njërin nga kolegët kur hynim e dilnim për çështje pune aty. Një apo dy tavlla kishte Mihali në tavolinë, i thoshim njëri-tjetrit me shpoti. Pra, e dija që prania e dy tavllave në tavolinën e asaj zyre, do të thoshte se biseda me të përgjohej. Po se në cilën tavllë ishte përgjuesi, nuk mund ta dalloje…

Pse ju thirri Mihali në zyrë?

Kur kishte vetëm pak ditë që Vahid Lama ishte përjashtuar nga Partia, më telefonoi sekretarja e Mihal Bishës dhe më komunikoi porosinë për një takim pune në zyrën e tij në aparatin e Komitetit Qendror. Lajmi nuk ishte krejt i papritur pas atij ndëshkimi të bujshëm të sekretarit të Enverit. Miqësia ime me të dihej nga të gjithë. Goditja me akuza të rënda politike nuk mund të mos i jepte efektet edhe në rrethin e afërt të familjarëve dhe miqve të Vahidit. Ishte kjo në logjikën e atyre goditjeve që vlerësoheshin të rrezikshme. Me sa konstatoja, penalizimi i mikut tim, kishte cenuar deri diku shkallën e besimit ndaj meje. Thirrjen në zyrë nga Mihal Bisha që ishte zembereku i aparatit të KQ, që në momentin e parë e lidha pikërisht me ndëshkimin e Vahidit. Ajo që nuk arrija ta mendoja, kishte të bënte me pasojat që më prisnin nga kjo ngjarje tronditëse. Këtë e përforcova më shumë kur u futa në zyrën e tij dhe pashë dy tavllat e famshme mbi tavolinën e punës…

E kuptuat që nuk ju kishte thirrur për çështje pune…

Patjetër që e kuptova, por prisja me padurim si do ta niste bisedën, çfarë alibie kishte zgjedhur për të justifikuar takimin…

Çfarë biseduat, përse ishte i interesuar Mihali?

Ai ia nisi direkt në temë, pa hyrje-dalje. Ore, ç’na bëri kështu ky Vahidi? Të gjithë syleshë ishim që nuk e kuptuam? Pastaj si heshti një çast, u kthye nga unë me një pamje babaxhani, ndezi një cigare dhe më pyeti sërish: Kaq i djallëzuar paskej qenë? Kaq i fshehtë dhe i betuar kundra Partisë? Vazhdoi disa çaste me pyetje të tilla, aq sa një moment e kuptoi dhe vet që e kishte tepruar. Mos më pyet më gjatë, i thashë aty për aty. Ju këtu në aparatin e KQ-së e kishit Vahidin. Më mirë nga ju, nuk e njihte njeri. Kishte dhe të tjerë që e njihnin më mirë, e hodhi një çast vrerin ai, duke aluduar drejtpërdrejt për mua. Nuk di si të shpjegohem, iu përgjigja, po për aq sa jam në dijeni të dosjes së tij, bëhet fjalë për një veprimtari armiqësore të konsumuar këtu në aparatin e KQsë. Kjo nuk do të thotë se jashtë ka qenë parimor e i devotshëm,- më ndërpreu Mihali. Ta shikojmë çfarë do të rezultojë nga hetimet e procesit të nisur,- i thashë për të kapërcyer bisedën. E ke fjalën për procesin që s’pranove ta drejtoje zotrote? – m’u kthye Mihali, pa e fshehur hakërrimin.

Me një fjalë, Mihali e kishte marrë vesh që ju nuk pranuat të firmosnit urdhrin e arrestit të Vahid Lamës…

Në fakt, që nga momenti kur vendosa t’ia delegoj urdhrin e arrestit zëvendësprokurorit, e dija se kjo nuk do kalonte lehtë. E ndieja që dashakeqët do fillonin nga avazi: Hoqi dorë se do të shpëtojë mikun e tij. Nuk e firmosi se do t’u bëjë presion organeve të gjyqësorit etj. Paramendoja sakaq ndonjë zhurmë rreth e qark kolektivit të organizatës së Prokurorisë. Pak a shumë, ky ishte risku që më shkonte në mendje në ato momente. Se do të shkonte lajmi deri te Mihal Bisha, që ishte syri dhe veshi i Enverit, i Kryeministrit, i kreut të Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit, këtë nuk e kisha menduar kurrë. Sidoqoftë, pas këtij momenti, sikundër ishte ai rregulli i pashkruar, e kisha të qartë se isha futur në rreth të kuq. E kjo do të thoshte përballje, përballje me një të keqe që nuk e shikon, por që e ndien kudo që ndodhesh. Ato çaste kur Mihal Bisha ma vuri në dukje faktin që isha shmangur nga procesi i Vahidit, mendova jo thjesht fundin e karrierës, por tmerrin që më priste si bashkëpunëtor i njërit prej armiqve të Partisë…

Si përfundoi takimi me Mihal Bishën, ju dha ndonjë porosi të veçantë kur u ndatë dhe, a ju thirri përsëri?

Ndoshta ke për të reflektuar më mirë,- më tha kur u ndamë. Partia të ka besuar përgjegjësi të larta, prandaj prêt më shumë nga ty, sidomos për gjëra kaq të rëndësishme. Aty për aty, desha t’i thosha diçka, por ndërrova mendje dhe pasi i dhashë dorën, dola në korridor. Unë e di si e kam bërë rrugën deri te makina. Të përplaseshe me Mihal Bishën atëherë, do të thoshte se kishe marrë tatëpjetën…

Po ja që në rastin tuaj nuk ndodhi…

Me sa duket, diçka nuk funksionoi në skemën e zakonshme që ndiqej për të tilla raste, megjithëse për ditë e javë të tëra jam gjurmuar e vëzhguar nga afër nga njerëzit e Sigurimit…

Si e konstatuat që ju përndiqte Sigurimi?

Qysh ditën që më thirri Mihali në zyrë, Sigurimi më vuri nga pas një prej agjentëve të tij. Kudo që shkoja më ndiqte këmba këmbës. Një tjetër përgjonte ditë natë poshtë ballkonit të shtëpisë. Ishte një përndjekje që e bënin haptazi, të cilën e ndieja jo vetëm unë, që i njihja fort mirë këto praktika, por edhe familjarët e tjerë. Të tillë situatë nuk kisha kaluar kurrë…

Ndërkohë që ishit në përgjim, vijonit detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Ka diçka jo fort bindëse në këtë histori…

E shpjeguar në këto rrethana, vërtet që është diçka e pabesueshme, por ja që kështu ka ndodhur. Me sa kam dijeni, rasti im nuk ka qenë i vetëm. Ka pasur dhe zyrtarë të tjerë, bile të niveleve të larta, që në rrethana të ndryshme janë vënë në përgjim. Mjaftonte një e dhënë, një informacion në rrugë operative, siç thuhej atëherë dhe specialistët të urdhëruar nga shefat e tyre fillonin nga puna. Kështu ishte atëherë, qoftë dhe dyshimi më i vogël dhe do kaloje në sitën e organeve të Sigurimit.

A patën dhe ata fatin tuaj?

Pati nga ata që përfunduan edhe në burg, që u shkarkuan nga detyra e shkuan në prodhim apo internim…

Ju kujtohet historia e ndonjërit prej tyre?

Kanë kaluar shumë vite dhe të them të drejtën nuk më vjen ndonjë emër në mendje. Po ka dokumente, ka dosje të tëra, ato janë hapur tani për të gjithë. Ndër këto histori, ajo e Vahid Lamës ka qenë më e bujshmja. I gjori Vahid, se ka ndërruar jetë, teksa punonte në zyrën e Enverit u bë pre e këtyre operacioneve sekrete dhe përfundoi në burgun e Qafë Barit. Kështu ishte koha, ndoshta regjimi i kishte në natyrën e vet histori të tilla tronditëse.

Dokumenti i Gjykatës: Përse akuzohej Vahid Lama

“Ka fyer rëndë Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë”

“Vahid Lama ka përdorur shprehje me përmbajtje fyese për drejtoreshën e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, duke thënë se ajo në punë më shumë çorganizon, se organizon”. Në morinë e akuzave ndaj sekretarit të Enver Hoxhës, ajo për Nexhmije Hoxhën përbën pjesën më të rëndësishme të saj. Së paku, për aq sa ka mbetur në procesverbalin e procesit gjyqësor, ku denoncimet në adresë të tij për shpërfillje të udhëheqësve kryesorë dhe anëtarëve të Byrosë Politike kanë dominuar kryqëzatën ndaj njeriut, që punoi 13 vite në zyrën e diktatorit. “Vigjilentët” në këtë rast nuk ishin dëshmitarë të zakonshëm, por zyrtarë të besuar të Komitetit Qendror. E artikuluar në zhargonin e kohës, aktakuza ndaj Vahid Lamës në procesin e vitit ‘81 e penalizonte për qëndrim armiqësor të shprehur me opinione e deklarata, që binin ndesh me vijën politike të partisë. Ndër to, qëndrimi i tij për marrjen e kredive nga vendet kapitaliste veçohet si një akt i pastër armiqësor, që i kundërvihet politikës së Partisë.

“Lama është shprehur, konfirmohet aty, se mosmarrja e kredive, duke u mbështetur kryesisht në forcat e veta, do të pengojë ritmet e zhvillimit ekonomik, pasi ne jemi vend i vogël e pa mbështetje”. Të tjera dëshmi jo më pak të rëndësishme për drejtësinë komuniste shtjellohen aty, madje edhe me komentet përkatëse për të përligjur pozitën armiqësore borgjezorevizioniste të juristit, që punoi 13 vite në paradhomën e Hoxhës. “Vahid Lama,- pohon prokurori i çështjes,- kundërshton legjislacionin e punës që kufizon pagën për tejkalimin e normës mbi 125 për qind dhe për mospagimin e punëtorëve për ditët e festave”. Pas një panorame të tillë faktesh e pseudoargumentesh, trupa gjyqësore arrin të konkludojë se “I pandehuri Lama, i frymëzuar nga pikëpamje armiqësore antimarksiste, ka shpërthyer më vonë në agjitacion e propagandë kundër partisë, udhëheqjes së saj dhe veçanërisht kundër udhëheqësit kryesor”. Ka mjaftuar kaq për të proceduar me masën e dënimit: 10 vjet heqje lirie!/Panorama

VITTORIO SGARBI DHE MIKELE GREÇI NGA VLORA – Nga Lutfi ALIA

 

Pas vdekjes të kryetrimit Gjergj Kastrioti dhe pasi ranë Kruja e Shkodra, dy bastionet e fundit të rezistencës heroike të popullit tonë kundër hordhive turko-bogomile, në vitin 1479, Dozha i Venedikut dhe Sulltani, firmosën aktin e pushtimit nga Perandoria Osmane të gjitha trojeve albaneze.

Kjo dramë e historike e popullit tone, u pasua me një dhimbje tjetër, emigrimin e shumë albanezëve drejt brigjeve të Italisë. Disa eksode njeri pas tjetrit, me largimin në grupe të shumta të banorëve, për të shpëtuar jetën dhe fenë. Një kalvar pa fund, ikje pa kthim dhe vendosja e përherëshme ne dhè të huaj.

Albanezët emigruan në masë. Vetëm në vitet 1468 – 1550, nga trojet tona u larguan mbi 250 000 banorë.

Ishte emigrim i imponuar, për t’i shpëtuar reprazaljeve dhe hakmarrjes primitve të barbarëve otomanë.

Ikanakët braktisën trojet e tyre, por morën me vehte gjithëçka albaneze. Edhe ne dhè të huaj e shprehën shpirtin, artin, letersinë dhe kulturën arbërore, si dëshmohet me veprat e disa nga figurat e shquara, ndër të cilët rendis humanistët Marinus Barletius (Shkoder 1450 – 1513 Roma), Marinus Becichemus Scodrensis (Shkoder 1468 – 1526 Padova), filozofi Nikolò Leonik Tomeo (1456 – 1531), poeti Mikele Marullo Tarkaniota (1458 – 1500), profesori i latinishtes dhe greqishtes Gjergj Merula, piktorët Vittorio Karpaci (1465 – 1520), Mark Bazaiti (1470 – 1530), Mikele Greçi nga Vlora, arkitekta dhe skulptore si Andrea Aleksi, Aleks Tarketa etj etj.

(Mos më kritikoni që nuk i kam përmendur të gjithë arbërorët se janë shumë).

Një nder figurat e shquara arbërore e gjysmës së dytë të shekullit XV dhe fillimit të shekulllit XVI është piktori Mikele Greçi nga Vlora. Në fund të shekullit XV, familja e Mikelit fillimisht u vendos në Abruco. Nuk ka të dhëna për fëmijërinë dhe moshën e adoleshenciale që kaloi në Vlorë, por sipas studiuesve Mimma Pasqulli, Lucia Arbace, Daniele Ferrara, Dora Cattalano etj, familja e tij ai erdhi në Abruco rreth vitit 1481,kur Mikele ishte ende i ri. Njohuritë e para si piktor i ka marrë në vendlindje, ndërsa ne Itali i thelloi dhe u formua si piktor dhe resturues i pikturave kishtare në rajonet e Abrucos, Molises dhe Leçes. Emri i qytetit të origjines Valona, u bë identifikues, duke e specifikuar në mënyrë dalluese ndërmjet piktorëve të tjerë italianë e kësisoj në ditët e sotme njihet: Maestro albanese Michele Greci da Valona, – mjeshtri albanez Mikele Greçi nga Vlora – piktor i shquar i “rilindjes adriatike të shekullit XVI”.

Nga Abruzzo, duke ndjekur shtegëtimin sezonal të dhenëve të babait të tij, Mikele lëvizi ne drejtimet Akuila (Aquila), Foxhia (Foggia) dhe më pas u ngjit në Molise.

Në historinë e artit kishtar italian, figura e artistit albanez Mikele nga Vlora, prezantohet emblematike, që shpreh përzjerjen e kulturave bizantine, me Rilindjen italiane. Mikele është vazhdues i veprës të mjeshtrave të shquar italianë të shekujve XIV-XV, sidomos të Iacobello Del Fiore përfaqësuesi i gotikut të vonshëm dhe piktorëve rilindas Karlo Krivelli, Pietro Alamanno dhe i Vittorio Karpaçi, përfaqësuesi më i shquar i “Shkollës së albanezëve” në Venecia. Këta piktorë, gjate levizjeve nga veriu në jug të bregut të Adriatikut, me pikturat e tyre kishtare, bëhen zëdhënës të traditës së kulturës albanese – venedikase.

Në fundin e shekullit XV dhe fillimin e shekullit XVI, në trevat italiane buzë adriatikut, gjalluan lirshëm dhe të ndërthura të dy kulturat e pikturës kishtare, ajo katolike dhe ortodokse bizantine, ku sipas shumë studiuesve të artit, Mikele nga Vlora u shqua si “piktor interesant albanez, i cili zbulon një liri të veçantë shprehjeje, që është frut i eksperincës si pikto i pjekur nga bregu tjetër dhe nga kjo anë e Adriatikut – un interessante pittore albanese il quale rivela una particolare libertà espressiva, frutto delle esperienze maturate al di là e al di qua dell’Adriatico”.

Mikele Greçi nga Vlora i përket grupit të piktorëve, që përfaqësojnë “rilindjen adriatike”. Kritika e konsideron mjeshtër autentik i dy brigjeve, mjeshtër i pikturave të kultit ne kishat në Abruco dhe Molise, ku ruhen piktura shenjetoreëh, disa me shumë vlera. Mikele nga Vlora eshte dhe autor skulpturash fetare.

Fernanda Pugliese, studiuese e historisë dhe kulturës arbereshe, shkruan: “Ikonat e Mikele nga Vlora, kanë ngjyrat dhe bukurinë e dritës dhe përbëjnë një dëshmi unikale, të pranisë të kulturës arbëreshe në Molise në vitet 1500”. Ndër punimet me te mira të Mikele Geçi nga Vlora janë triptiku i Shën Marisë me Jezusin foshnje, ndërmjet Shën Pjetrit dhe Shën Palit (viti 1505), e konsideruar kryevepra e tij, e cila mban dhe firmën e autorit Michele Greci. Këtë triptik mjeshtri ynë e kishte pikturuar për Kishën e Shën Pietrit, ku arbëreshët celebronin me ritin bizantin, por kur kisha u shemb dhe arbëreshët u shperngulën në Montecilfone, e morën me vehte dhe triptikun. Ne vitin 1959 ky triptik u vendos ne Muzeun e Abrucos. Aktualisht, ky triptik i famshëm ndodhet në Kishen Santa Maria Maggiore në Gulionezi (Guglionesi) Komunë e Provincës Kampobasso – Molise, ku jeton një komunitet arbëreshësh. Ne dialektin arbëreshe,  komuna Guglionesi quhet Ujunishe.

Një vepër tjeter e Mikele Greçi nga Vlora, është triptiku i vitit 1505, Shën Maria me Krishtin fëmijë, e ulur ndërmjet Shën Adamit dhe Shën Gjon Pagëzorit.

Këto vepra dhe shtatoren e Shën Pardo, Kuria e Peshkopatës të Termolit i ekspozoi publikut gjatë muajit nëntor të viti 2011. Mass media i bëri jehonë këtij aktiviteti, duke e informuar publikun: “Veprat e Mikele nga Vlora u kthyen ne shtepi, por jo në Albania ku lindi piktori yne i viteve ‘500, por në bregun përballë, në Abruco dhe në Molise”.

Në vitet 2011 – 2018, në Itali janë hapur disa ekspozita me punimet e piktorit tonë arbëror, janë zhvilluar workshope e konferenca shkencore, ku kane refruar studiuesit me kompetenta italianë e të huaj, mes tyre dhe shqiptari Ilir Shahollari, historian, studiues dhe restaurues i artit kishtar.

 

 

 

Mikele nga Vlora: Triptik i vitit 1505, Shën Maria me Krishtin fëmijë,

e ulur ndërmjet Shën Pjetrit dhe Shën Palit.

 

Në vazhdim të veprimtarive tradicionale kulturore në nderim të veprave të piktorit albanez Mikele Greçi nga Vlora, në gusht të ketij viti, në Ujunishe – Guglionesi, u organizua një takim me kritikun e artit Vittorio Sgarbi.

Një veprimtari e mirëpritur nga banorët dhe mass media, si për praninë e kritikut karizmatik, të famshëm dhe të zjarrtë Vittorio Sgarbi, por dhe për tematikën e dedikuar veprave të piktorit bashkëqytetar Mikele Greçi nga Vlora. Pjesmarrja ishte masive, madje disa banorë u prezantuan me veshjet tradicionale kombëtare shqiptare.

“Asnjëherë nuk ka ndodhur të mblidhen kaq shumë njerëz në Kishën Shën Maria Maggiore në Giuglionesi, madje as në meshën e Krishtlindjes”, theksonin me krenari banoret, që ishin mbledhur për të dëgjuar “Lectio magistralis” (Leksionin mjeshtrorë) të Vittorio Sgarbit.

Kronikat u mbushen me njoftime rreth vizitës të Sgarbit dhe tubimit ku do të ligjeronte.

Në një nga lajmet e ditës theksohet se pasi vizitoi Vasto, ku admiroi një prej shume pikturave të Mikele Greçi nga Vlora, në oren 18. 00 kritiku Vittori Sgarbi arrijti në Ujunishe – Guglionese, por para se të vizitonte Kishën Shën Maria Maggiore, ku do te mbahej tubimi, vizitoi kishat e Shën Antonio dhe Shën Nikolla.

Kritiku Vittorio Sgarbi vendosi fillimisht të admironte pikturat e ekspozuara në këto kisha, duke e lënë në pritje të gjatë publikun, qe e toleroi me durim këtë “kapriçio” të tij proverbiale. “Është i mençur e i zjarrtë si e shohim në televizion”, theksonin pjesmarrësit në këtë takim kulturor.

Që në fillim të diskutimit, Vittorio Sgarbi u shpreh me humor të hollë e të pëlqyeshëm. Dhe pse fliste për artin, për vlerat e piktori Mikele Greçi nga Vlora, e gjeti shtegun e duhur per t’i drejtuar kritika Matteo Salvinit: “Duke parë veprat e tij bukura, Salvini nuk do të kishte mundur ta përzinte albanezin”.

 

Kritiku i artit Vittorio SGARBI gjatë Lecctio magistralis (leksioni mjeshtëror)

në Kishën Shën Maria Maggiore të Giuglionesi – Ujunishe.

 

Ndër të tjera Sgarbi theksoi se vepra e Mikele Greçi është me rëndësi për traditen historike dhe kulturore xhiulionezane. Për vlerat artistike, historike dhe kulturore, Vittorio Sgarbi insistoi dhe arrijti ta realizoi, që triptiku i kishës Shen Maria Maggiore, vepër e Mikele Greçi nga Vlora, të prezantohet në Expo – Milano 2015. Rreth këtij vendimi Sgarbi tregoi: “Është një pikturë që ka lindur nga dialogu ndërmjet botëve të largëta, që sot ndodhen ne konfliktet salviniano, por që kishin filluar që atë kohë, kur ndodhi zbarkimi i parë i albanezëve në trojet italiane. Keshtu arrijti te ne ajo barka, pruri dhe një piktor nga Vlora, i quajturi Mikele Greçi, i cili na ka lënë vepra të rëndësishme, që janë pjesë e një kulture të lidhur me botën bizantine, por qe shpreh dhe një piktor të Rilindjes italiane. Për mua ky ishte një veprim i bukur, qe mundesoi dokumentimin e Molises me një vepër të Mikele Greçi nga Vlora”.

Sgarbi theksoi dhe një zgjedhje ad hoc, rastin ku Mikele Greçi nga Vlora u përfshi dhe në publikimin VII: Ricordando Corrado Gizzi. Për këtë vendim, Sgarbi theksoi: “Kuptova që Gizzi është ai i shtëpisë të Dantes dhe ky ishte rasti më i mirë për të rikujtuar Gizzi dhe për të vlerësuar Mikele Greçi nga Vlora”.

Në vazhdim, Sgarbi i mençur dhe i zjarrtë theksoi: “Mikele Greçi është një artist i veçantë i kulturës veneciane dhe bizantine, që na i ka sjell veprat e tij nga Albania. Ky është një rast emblematik, për të cilin ne italianët duhet t’i falenderojmë albanezët, për ato që kanë bërë për ne”.

Nga persekutimi te pushkatimi, pa thonj e pa dhëmbë. Kalvari i avokatit të diplomuar në Firence, kuestorit të Shkodrës që strehoi në shtëpi Qemal Stafën

Historia e një intelektuali shqiptar, që u pushkatua nga regjimi komunist vetëm sepse ishte profesionist, idealist, i shkolluar, i kulturuar dhe i paepur. Një rrëfim i ngjeshur me detaje nga jeta dhe persekutimi i Zija Lunikut dhe familjes së tij.

 

Zija Luniku bënte pjesë në një familje të madhe, me dy vëllezër avokatë, një noter dhe një tjetër student në Itali, ku ndërroi jetë në moshë të re. Zijai ishte një nga avokatët. Ai studioi në Firence. Me të mbaruar studimet, u kthye në Shqipëri, ku u martua dhe i lindën tri vajza.

Gjatë pushtimit italian, kur ishte kuestor i Shkodrës, strehoi në shtëpi, Qemal Stafën. Sipas rrëfimit të nipit, për kujto.al, ekziston një dokument ku Zija Luniku i kthen përgjigje Ministrisë së Brendshme. Kërkesa thoshte që kishin informacione se komunisti i rrezikshëm Q. Stafa ndodhet në Shkodër.

Përgjigja e tij ishte: “Komunisti i rrezikshëm Q.Stafa nuk ndodhet në Shkodër”, ndërkohë që ai ndodhej pikërisht në shtëpinë e Zija Lunikut, duke qenë që ishte kushëri i parë i bashkëshortes së tij, Nashifer Kamber Sejdini. Në këtë shtëpi i lindi vajza e parë, Fatmira. Më pas, e lë këtë detyrë dhe zhvendoset në qytetin e tij Elbasan, ku punon si avokat. Pas Çlirimit, spikat si avokat mbrojtës në disa nga gjyqet më të bujshme ndaj personaliteteve të qytetit.

“Kjo gjë si dhe frika nga influenca e kësaj familjeje bënë që në mendjen diabolike dhe paranojake të atyre qe kishin pushtetin të krijoheshin insinuata të tmerrshme që çuan në arrestimin e tij në dhjetor 1946. Mbas dy ditësh, çakejt e Sigurimit bastisën shtëpinë dhe morën të gjitha çfarë gjetën duke lënë në mes të dimrit pa ushqim, pa rroba dhe pa mbulesa, gruan dhe tri vajzat. Aq i tmerrshëm ishte ky veprim, sa edhe hamalli që kishin marrë për të ngarkuar çka vodhën, hoqi pallton dhe mbuloi vajzën e vogël, Vjollcën. Po kështu u kontrollua dhe u plaçkit edhe zyra e tij në rrugën Tomson. Qe një hetuesi e tmerrshme, siç dinin vetëm komunistët ta bënin. Një burrë në lulën e moshës u arrestua dhe mbas 11 muaj hetuesi, doli në gjyq pa dhëmbë, pa thonj dhe pa flokë. Dhe absurditeti ishte se u dënua nga gjyqtarë injorantë, ai që kishte shkëlqyer në shkollën e tij dhe me krenarinë e shqiptarit kishte mbrojtur temë diplome me ligjin bazë të shqiptarëve në shekuj, Kanunin e Lekë Dukagjinit”, tregon për kujto.al, Ervin Lamçja, sipas kujtimeve të mamasë së tij, Fatmirës, e cila ishte vetëm 8 vjeçe, kur gjyqi do të vendoste vrasjen e të atit, Zija Luniku.

Komunistët do të dënonin me burg të gjatë, edhe të vëllanë, Abdurrahimin, me profesion noter. Edhe sot në zyrat e Hipotekës, mund të gjesh dokumente me kaligrafinë e tij, por regjimi nuk donte t’ia dinte për profesionistët e rinj, të arsimuar e të kulturuar. Ata ishin ndër të parët që u vunë në shenjestër dhe u ndëshkuan rëndë. Abdurrahimin e mbyllën në kalanë e Gjirokastrës. Zijait i morën të gjithë pasurinë duke i bastisur edhe zyrën, ku u mor kasaforta pa asnjë dëshmitar dhe pa asnjë procesverbal. Këto janë shkelje të praktikës së të drejtës, ku pasuria sekuestrohet vetëm nëse është vënë në bazë të një aktiviteti kriminal, apo atë kohë, mbi tregtinë e pandershme gjatë luftës. Në këtë rast nuk kishin të bënin me asnjë nga këto, por komunistët nuk donin t’ia dinin as për të drejtën. Zijait i morën jetën përmes një gjyqi të montuar dhe e çuan para togës së pushkatimit, pa mëshirë.

Dëshmitarët kanë treguar për një qëndrim të madhërishëm të avokatit edhe në ato çaste, gjatë të cilave tregoi karakterin e tij idealist dhe atdhedashurinë, që e kishin sjellë në këtë vend, me shumë ëndrra. Para pushkatimit ai tha: “Të rrojë Shqipëria!”

Kujto.al