VOAL

VOAL

Kinemaja dhe identiteti kombëtar: Si e manipuluan identitetin etno-fetar të Nënë Terezës studiot jugosllave të filmit në një biografi italiane

October 4, 2020

Komentet

LIBRASHITËSI- Cikël poetik nga Imri Musliu

 

 

Data dhe vendi i lindjes: 13/03/1958, Zaskok-Ferizaj
Shkollimi: Shkollën fillore e kreu në Zaskok, shkollën e mesme të makinerisë në Ferizaj, ndërsa fakultetin teknik të makinerisë në Prishtinë.

Ka botuar karikatura nga viti 1981, duke filluar në Gazetën e Studentëve ‘’Bota e Re’’ në Prishtinë dhe vazhdon edhe sot të merret me këtë aktivitet.
Shkruan poezi, prozë dhe mledh e krijon anekdota.

Ka te botuara libra me poezi, karikatura, romane dhe anekdota.

“Ligjërata e Kabilit”, poezi, Shkup 1996
“Kakafizma“, bashkautor me Bardh Frangun (karikatura dhe aforizma humoristik), Ferizaj 2003
“Kohë e uritur“, poezi, Ferizaj 2006
“234 anekdota“, Prizren 2016
“Kapërcimi përtej Urës së Siratit“-roman, Ferizaj 2016
”78 ditë ankth dhe shpresë”-ditar, Prishtinë 2022

Në vitin 2021 ka qenë bashkëthemelues i bibliotekës në kuadër të Bienales Ndërkombëtare të Humorit e Satirës “Niko Nikolla” në Pogradec.

Ka hapur ekspozitë të pavarur të karikaturës, të parën e këtij lloji në Ferizaj në vitin 2001, shumica të botuara më parë në gazetën lokale ‘’FerPress’’ dhe ‘’Rozafa’’ në Ferizaj dhe ekspozitën e dytë personale në vitin 2021.

Ka fituar mirënjohje për karikaturë në festivalet e karikaturës në këto festivale ndërkombëtare:
– Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës, vizatimit dhe kaligrafisë në Tbilisi të Gjeorgjisë, 2016
-Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës në Eskishehir të Turqisë, nëntor 2016
– Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës në Tunizi, 2017
-Euro-Kartoenale Kruishoutem – Belgjikë, 2019
-Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës, Filipine 2020
-Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës ‘’Cairocature’’- Edicioni i Dytë, Kairo, Egjipt 2020
– Ka qenë finalist në Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës në Kyrenia të Qipros në vitin 2021 etj.
-Është anëtar i rregullt i revistës satirike të përmuajshme ‘’BirKitapBinDost’’ në Stamboll, Turqi, ne Bashkent Postasi dhe ne shumë gazeta elektronike të karikaturës nëpër botë.

Është njëri nga themeluesit e Shoqatës së Karikaturistëve ‘’HiTHi’’ në Ferizaj në vitin 2016 dhe drejtor ekzekutiv i saj nga fillimi e deri më sot dhe drejtues i Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës që organizohet çdo vit në Ferizaj.

Ishte mësimdhënës në Shkollën e Mesme Teknike “Pjetër Bogdani” në Ferizaj, prej ku është pensionuar.

LIBRASHITËSI
Në shesh, flejnë librat mbi tavolinë
Librashitesi me një strajcë bukë
U rri pranë e ma kujton
Bariun me tarçuk varur në sup

Një ditë nuk mora bukë me vete
Dhe ngela i urutur, tha
Se nuk shita asnjë ekzemplar

Dielli ngrihet e bie kupës së qiellit
E librashitësi qëndron në shesh
I ekspozuar para librave
E vazhdon të besoj
E vazhdon të shpresoj
Në bukën e librave
Si sharraxhiu dikur moti
Për fëmijët përtej shtatë bjeshkëve
Simitet kah i ëndërronin

IN MEMORIAM PËR KURBETÇIUN
Rrahu e rrahu shtigjet
Shko e eja
Ngrohtësi solli në veri
Ferski në jug
Pastaj dikush tha: Vdiq
Dikush tha: U shkri
Balsam iu bë Tokës së vet
Vetes i hapi plagë
Tjerëve t’ua mbyll

MUSË TAHIRI
Musë Tahirit
Iu prenë gjunjtë
Iu këput shpresa
Kur dora e hasmit
Ia shkretoi
Kullë e plang
E mbështetje t’vetme
Kërkoi kanunin

Po as hasmi
Nuk e përvëloi
As Kanuni
Sa kanunxhinjtë

Kur shpërtheu
Dufi i zhgënjimit
Jehoi kënga:

“Musë Tahiri e fshinë synin
E për faqe e p’shtetë martinën”

Kur Kanuni bënë leqe
Lindin musëtahirë
Leqet t’i drejtojnë

QENI

Kafshon qeni
Zbaton urdhërat
E kryeqenit
Mungesën e ujkut
Kur heton

Ai qen bir qeni

KRYEQENI
Ulur në bisht
Kokën nuk e kthen
Mbërthyer nga ishiasi
Qafë e kurriz

Ashtu rri
I zhytur thellë
Në strategjinë e kafshimit
Qenqe

BESA E QENIT
Historia nuk di
Se u pre kush
Në besë të qenit

Njeriu
Kurrë nuk u betua
Në besë të qenit
Po në besën e vet
Të pabesë

UJKU
Përditë e më pak ujqër
Përditë e më shumë qenë

Kur mungon ujku
Vërshojnë qentë

Të bijtë e qenit

LUANI

Lehin qentë
Ulërijnë ujqit
Diku larg

Ai në fron
I zhytur
Në krenarinë e vet
Lehjen nuk e kthen
As syrin nuk e tremb

TUFANI

Toka dridhet

Minjtë të zënë ngushtë
Dalin fushës

Për tu fshehur
Copëtohen këmbësh
Gjëja e gjallë

Qielli
Nuk i mban shpezët
Struken llugave

Njeriun nuk e mban toka
Qielli ngushtohet
Vaj medet

ORA E APOLLONISË
(Ora e Apollonisë
Nuk përfillka kohë
Nuk përfillka stinë)

Dhëmbi i kohës
E brenë vetveten
Në këta gurë

Në amfiteatrin antik
Dy mijë e treqind vjet
Jepet shfaqje

Është kohë tjetër
Janë tjerë aktorë

Shëtitorja antike
Dymijë e treqind vjet
Pret e përcjell

Është e njëjta rrugë
Është tjetër kohë

Koha ndërroi
Dymijë e treqind vjet
Por Ora e Apollonisë
Nuk përfillka kohë
Nuk përfillka stinë

Apollonia
Dritare e kohës
Në lashtësi

ALPINIZËM

Përgatis
Kunja hekuri
Shkallë litari
Çizme alpine
Dhe nisem përpjetës
Majën ta pushtojë

Copa akulli e gurësh
Shembje dheu e bore
Rrugën ma vështirësojnë

As çizme alpine
As shkallë litari
As kunja hekuri
Nuk më ndihmojnë
Ta pushtojë
Majën e Poezisë

KALORËS TË PËRJETSHËM
Botës së paanë
Kalërojmë
Nëpër shekuj
Oazën e lumturisë duke kërkuar

Vorbulla pluhuri të pista
tornado
Na mbështollën
Ne vazhduam udhëtimin
Dhe kërkuam

U thinjëm mbi kuaj
Kinse po kalëronim kohën
Gjersa koha na kalëroi
E vesh s’e morëm!

ASGJË E RE

Këngëtarë çirren kafeneve
Të dehur nga paraja
Këpusin tela
Thyejnë instrumente

Lypsarë rrugëve
Mallkojnë acarin e ditës
Diellin që nuk i nxehë

Gazetarë prostituta
Nxijnë faqe gazetash
Nxijnë fate njerëzish

Dhe, nata e dita
Ndërrohen si më parë
Universi zgjërohet si më parë
Zemrat tkurren si më parë

Asgjë e re
Në shekullin e ri

 

UDHËKRYQI

Eci pafundësive
Me shpejtësinë e dritës
Gjithë jetën

Askund s’arrijë

Të kthehem prap
Kohë nuk kam

Të vazhdoj
Prap nuk kam kohë

Më duket të gjitha rrugët
Përfundojnë në këtë udhëkryq

FJALA E KRIPA

E mora kripën
Ia dhash fjalës

Veç ma shtoi etjen

Nga etja nxitova
Në lumë fjalësh
De kripën e mori lumi

DIÇKA QË DJEG

Rrugët e bukës
Çojnë dikah larg
E rrugët e kthimit
Përditë ngushtohen

Midid dy rrugëve
Midis dy flakave
Kalitet e digjet zemra

Njëra dëbon
Tjetra tërheq
E në mes tyre
D i l e m a

Në këtë duel që djeg
Duart e vogla të Dardanit
Prapa më tërheqin
Në nënkulmin e shtëpisë
Ta mundim skamjen me durim

Kjo botë na lindi
E po na han
Përditë ngapak

VETËM ME BISHAT

Këtu larg shtëpisë
Me duar e sopatë
Gatuhet buka

Fëmijët përtej bjeshkëve
Ëndërrojnë simite
Babit i besojnë shumë
Dhe sopatës së tij

Një flakë më pushton
Midis ahishtës
Ku gdhihem e errem
Vetëm me bishat

LOJË E VIRGJËR

Ju shoh kah luani
Të padjallëzuar
Të bartur mbi krahët e këngës
Nuk u brengosin:

Vërshimi i sëmundjeve
Mungesa e barërave
Çfrenimi i epsheve
Mungesa e arësyes
Tërbimi i inflacionit
Mungesa e bukës

I rrënqethur
Lotëtt’mos m’i shihni
Shpinën ua kthej

Lotët vazhdojnë
Në njërën anë
Vaji në anën tjetër

E Toka megithatë sillet
N’orbitën e vet
e s’trazohet

KOKA TË BRONZTA

Të gjithë u thurin himne
Për së vdekuri

Për së gjalli ua pijnë gjakun

Proletariatit i flini në zemër
Byrokracisë i flini në gjuhë

Me kokat tuaja të bronzta
Në fushën tetë herë tetë
Luftë e tmerrshme zhvillohet

NDARJE
1

U ndamë

Ti në klinikë
Unë në autobus

Dhembja na brente

Ty në asht
Mua në zemër

Pamjet turbullonin

Lotë në klinikë
Lotë në autobus

Kështu ndaheshim
Përditë ngapak

NDARJE
-2-
Atë ditë
Ditë ishte
Po terr ishte

Qielli terr
Zemrat terr

Rigonte
Shi qiellit
Shi faqeve

Fjalët ishin lidhur nyjë
Kuptoheshim me shikime

E rigonte
Shi qiellit
Shi faqeve

Në ndarje
Era frynte
Zemra ç’frynte
E rigonte
Rigonte shi

Shi në qiell
Shi në tokë
Shi në sytë e mi

UDHA QORRE

Largësitë më rriten
Përditë e përditë
Dhembja më ulet
Këmbëkryq në kokë
Lëkurën shtroj
Me lëkurë mbulohem
Rrugëve e trotuareve

Nëpër mjegull
Horoskopi më bëhet
Busullë rrugëtimi
NË FUND TË FUNDIT

Eci mes binarësh
Ata sikur bashkohen diku
Në fund të fundit

Eci, eci, eci…
Prap e njëjta rrugë
E njëjta pamje
E unë mes binarësh

RUAJU KOHËS, KALA
Shekujve
Bedenave
Mureve
Shëtiste vdekja

Portave
Nuk kalonte
Njeri i gjallë

Tani ajo
As që mbyllet
Bedenat kanë zënë myk

Brenda shëtisin
Njerëz racash të ndryshme
Gjuhësh të ndryshme

E kaluara
Paloi qafën në cung
Dhe shkoi

Por kohët ndërrojnë

Dhe, ruaju kohës
Kala

NË REPARTIN ONKOLOGJIK

Kthinë e qetësisë
Stacion i fundit
I fjalës sa
Ku memec u bëre
Ciceron

Në dyluftim me vdekjen
Fjala t’u bë fli

Kështu si sonte
Kurrë s’ke belbëzuar
Ciceron

I tillë paska qenë fati yt
Medet,
medet,
medet!

NË RRETH

Në rreth përsëritet çdo gjë

Qeshim, qeshim, qeshim
E harrojmë

Me thikat e xhelatit në dorë
Muzat i bëjmë të heshtim
Qajmë, qajmë, qajmë
E prap harrojmë

Në rreth çdo gjë përsëritet

SHPELLA E GADIMES

Paska fshehur dosjet
Shumëçka paska fshehur
Kjo shpellë

Paska mësuar nga Sodoma
Shumëçka paska mësuar
Kjo shpellë

Paska përvetësuar
Shtatë pash nëntokën
Mbitoka e paska tmerruar
Këtë shpellë
Këtë galeri artesh
Këtë muze antik

MALLKIMI

Kalin e rëndon mallkimi
për krimin e njeriut të panjerëzi

Trojën nuk e pushtoi kali
As Rexhën nuk e shqelmoi
Po njeriu i panjerëzi
Pushtoi Trojë e vrau njeri
Pastaj shpifi dhe mallkoi
Kalin e quajti të zi
Atë ditë e sot
Mallkimi shëtitë në gjithësi
Dhe kërkon të përplaset
Në kalë a në njeri

RROTË MBI STUPC

N’atë luftë të përhershme
herë uji herë zjarri
ngadhnjejnë
(Mirko Gashi)

sillet rrota
sillet bota
rrugës sinusoidë

sa bie
ngritet
e prapë bie
për t’u ngritur

hidhet fara
mbillet ara

sa korret
prapë mbillet
e vazhdon rrota
të sillet
ara të korret
e prapë të mbillet

çdo gjë që ngritet
sërish zbritet
herë majë Lybeteni
herë poshtë te liqeni

rrotë mbi stupc

KRAHASIM
Kur t’i pash sytë
E kuptova sa i verbër jam

Kur ta dëgjova ligjërimin
E kuptova sa memec jam

Kur ta pash hapin
E kuptova sa statik jam

Kur e kuptova sa i vogël jam
E kuptova madhështinë time!

NJË COPË BUKË
(Pesë punëtorë kosovar, humbën jetën tragjikisht në një kantier ndërtimi në Kazakistan)

Dora e vogël e një fëmije
E rrëmbeu një tas kosi
N’tjetrën dorë një gurabie
E n’valixhe i vendosi

S’desh ta mbante sall për vete
Po me babin desh ta ndaj
K’shtu janë rrugët e k’saj jete
Me pak g’zim e me shumë vaj

Pa e ditë se ku po shkonte
I tha babit udhë e mbarë
Ai vajzës s’i tregonte
Se po bëhej mërgimtarë

Thellë, shumë thellë, n’zemër e mbylli
S’desh ta shfaqte jashtë mërzinë
Si q’m’shehë n’vete shumëçka pylli
Kurrë për fushë s’e çet brendinë

Një lëmsh vreri brenda i vloi
Shtrëngoi dhëmbët e nuk foli
Bukë as ujë teposhtë s’i shkoi
Vreri i vet për hund’sh i doli

Në një skutë dikund u struk
Me valixhe n’aeroplan
Bashkë me Të dhe një copë bukë
Fluturoi n’Kazakistan

Mëngjes i hershëm i 10 marsit 2015, Aeroporti i Prishtinës

 

NËNËS SIME

Unazat iu deformuan
Shtëpinë duke bartur
Mbi kurriz

Sytë iu verbuan
Ecjen time kah dielli
Duke parë

Flokët iu zbardhuan
Në derë të oborrit duke më pritur
Kohëve me brymë

Veç gojë e saj
S’u helmua kurrë
Balsam ishte fillim e fund

Shkallares së jetës
U ngrita e rashë
Se më ndiqte pas
Nënën nuk e pashë

LULE PËR NËNËN
Lule nuk të bleva
Se një zë më pëshpëriti:

O injorant
A e din ti
Se nuk dilet
Nga koha e hapësira
Pa ardhur Dita?!

Ai që të solli këtu
Edhe të nxjerr
E lulet
As ti
Nuk i merr me vete
As trupin tënd
Asgjë, asgjë, asgjë

Kur të vie Dita
Lule për nënën do të jesh ti
Buqetë lulësh për ty
Do të jetë ajo!
tetë mars 2014

NËNA IME
1/
Fjalën e fundit nuk e the
Se fundin nuk e pranove si fund
Veç si fillim të ri

Unë nuk mbeta veç Robinson i Tokës
Por edhe më keq
Mbeta jetim
Deri në çlirim
Nga ky ngujim

NËNA IME
2/
Sa ishe
Me t’dashtë
Nuk dita
Tani që s’je
Të kërkoj

Mbi varr
Lulet e Blinës e të Jonit
Era i përkëdhel
Erë blini
E fllad Joni
Të ofojnë

‘’TAKIMI’’ ME NËNËN”

Foton ta zbrita nga muri
N’korrnizë më dukeshe e kufizuar
Ti je e madhe, gjithë shëndritë nuri
Si yll n’gjithësinë n’yje praruar

Në mendjen time të shohë përherë
Ashtu ballëlartë, me sy kah dielli
T’shëndritë fytyra gjithë shend e verë
Duket prej teje merr dritë dhe qielli

Ashtu na sheh kah vijmë e shkojmë
Duke shijuar të mirat mbi dhe
Këshillat tua i përjetësojmë
Kur ike tutje e ne na le

Atë çast pafuqie s’do ta kujtoj
Pa lamtumirë kur nga këtej ike
Unë fare mirë tash të kuptoj
Nuk quhet ndarje, ndarja fizike

Gjithkah tek endem, do t’jem me ty
T’dalë përtej kohës, t’kthehem përsëri
Gjithë ç’ma thotë mendja, ta shohë me sy
A s’është kjo mbi t’gjitha një mrekulli?

Kjo do të ndodh kur te Ti të vijë
Kur pesha ime më s’do t’m’pengoj
Shpejtësinë e dritës kur ta arrijë
Dalja prej kohës do t’jetë vetëm lojë

KUR VIE FESTA E VITIT TË RI

Saherë kaloj përreth varrezave
Nuk shikoj andej kah zhvillohet jeta
Po nga varri yt, nënë

Saherë vie festa e Vitit të Ri
E shkrepin fishekzjarret
Dal në borën e acartë
Se kam temperaturë
Kur më kujtohet pafuqia jote
Kur Ti luftoje me vdekjen
E tjerët festonin

Edhe atëherë ishte dimër
Por gropat e syve t’u bënë puse djerse
As akulli s’të jepte fresk

Për herë të parë u ndjeva i dobët
Dhe ika nga dhoma e përpëlitjeve të vdekjes
Të mos rëndoj me lotët e mi

Ti ike në tjetrën botë
Pa na thënë lamtumirë
Dhe bëre mirë
Që ndarjen nuk e pranove

Ende e kam ndjenjën se jam me Ty
Dhe vërtetë jam me Ty
Veç ngohtësinë e prehërit nuk ta ndjej

Tani as dielli kur nxenë
Akullin në zemër, nuk ma shkrinë
Dimër, as verë!

NUK RRËFEN GJË KËNGA, RRËFEN VETËM LOTI
Te dyertë e oborrit na përcillte nëna
Kur niseshim me babën t’hënave për n’Prishtinë
Pa dhënë vi mëngjesi, dhe pa ikur hëna
Verë e dimër, në borë a në shi me vetëtimë

S’kthehej, deri te kthesa e zabelit sa arrinim
Pastaj menjëherë, përvilte këmbë e duar
Ajo e dinte mirë, ashtu si ne e dinim
Se jeta ka shumë fronte, herët kishim mësuar

Gëzohej se me të gjitha, na kishte përgatitur
Si dy alpinistë kur nisen thik pjerrinës
Njërin rrugës së dijes, që do për t’u ngjitur
Tjetrin t’i prekë retë, n’rrokaqiej t’Prishtinës

Në fund të javës kthehesha me dëshirë
Se e gjeja nënën, aty ku e kisha lënë
Ra shi, ra borë a ishte kohë e mirë
Ishte ditë me diell, a terri kishte rënë
Asnjëherë, pesha e kohës zezonë
S’ia përkuli dot atë trup pehrri
Na priste ditën, a n’mbrëmje deri vonë
Për punën që bënim, na e kishte lakmi

Teksa m’përqafonte, i ndërronim njëmijëenjë fjalë
Njëqind hapa udhë ende pa i kaluar
Nga larg e ndjeja erën e lakrorit valë
Në sofrën që priste, darkën për ta shtruar

Pasdarkave kur plaste kënga në sharki
Shpejt na ikte koha si rrjedha e lumit
Ajo e buzëqeshur na rrinte karshi
Që n’mbrëmje lamtumirën, ia jepnim gjumit

Ah nënë! Iku ajo kohë, ike edhe Ti
Ëndërroj se m’pret ende te oborri
Saherë që largohem, prapë kthehem e vi
S’të gjejë më aty, as s’ndjej erë lakrori

Tani kur Ti pushon në lëndinë
Kohën ta rikthej, mundohem kot së koti
Që ta shuaj mallin e rrëmbej sharkinë
Nuk rrëfen gjë kënga, rrëfen vetëm loti.

MONACO- Poezi nga Meti REXHEPI

 

Deti ta kishte grabitur oborrin me armën që nuk kapet
mbi kaltërsi valësh thyhen konturuat e zilive
fryma e mushkërive të zgjeruara të erës shqepet dendurisë së pallateve
të hedh shallin e freskisë së hollë e të përdredhur dhe t’i mbështjell
ngrehinat e Tua i fërkon dhe lëmon rrëmbyeshëm e fashitur
përplasen kontrasteve të pjerrtësive të frymëmarrjeve ritmet
ndërvarje djersësh me kozmetikën

Deti Zot i tokës kaherë preras ta kishte shqiptuar fatin:
ngjitu më lart në daç bëhu bukuroshe
do më lësh se (z)bën t’i shtrijë prekjet e mia në këmbët Tua
e shtrënguar ndërtove prirjen e urdhërdhënësit të pathyer
s’të mbeti dy mendje si ajo shtytje mëshikëze nga urina
t’ia mbështesje shpinën shkëmbit t’i falesh valëve
që vijnë e diç marrin dhe gërryejnë shkëmbin e lënë kripëra

çdo t’i bëje konturove prej hinkës Tënde si do ta përpije vapën
nëse s’do t’i puthte prore këmbë e duar sy e faqe
menyja e flladit të lëngshëm dhe shija e peshkut të kripur erëzash e barishte
kupola Jote bardh e kaltër ta ngjyen ajrin
atë dënim ngushtice mbi shkëmbinj e gdhive në njërin ngadhënjim
shkallëve përmbushe mandate ngjitjeje lart, por jo zbritje poshtë
Zonjës Sate luks-matëse mbase ia gdhende fytyrën
si një fisnikeje me emrin Monaco

për mua paske buzë e duar të ftohta Zonjë e shtrirë në gurë zemër plastike
buzët t’i ngjyeka krejt praruar paraja kësaj Mbretërie të Miniaturës
fati çast i lumturuar apo i zi ai basti i Monte Karlos
nëse jo mua vetëm kodit Tënd Zonja Monako i çilen dyert prej lulesh
Zonjë nuk pash koshere bletësh e faqet mjaltore i mbarke
nuk e ditke se bëke mëkate m’i shpaluake gjinjtë pjalmore
që t’i përkëdhelin pandarë pos lëmim diamantesh
apo ari shumë karatësh

farfuritjet Tua të natës nuk ma ndriçojnë terrin
modeli Yt udhë rrëfim që do të më linte vishkull bredharak
një rebel gurë rrotullues tatëpjetash ngadalë me të pështyra përpjetash
mëtoja të rindërtoja vetveten porse Ty nuk të ndjek dot
me qenin në shtrat gjithnjë vjen e shkon mos ta prishkam egon
skamja dhe kamja ndjekin njëra-tjetrën
athua u zgjuaka mëshira Jote e ftohtë
kur e kur e fortifikuar në Kështjellën Tënde
po hykan pa biletë Krishtlindjet
ndjesia e gozhduar e gjakut, ajo simbolikë për lashtësi dhimbjesh

Monaco
paqen ta qëndiskan farfuria e ngjyrave të Krishtlindjeve
mbase lutesh t’i kesh bekimet e shirave
për të mbjellat e të vjelat e Tua në arat e artarëve
ruana, Zot: zemrat mos të na kaplohen me duna rëre në vena
Nili të mos shterojë lulja e parasë nuk çel në rërë
ndonëse mbi Ty vegjetojnë lule – ëndjet e saksive
shqisat e Tua shijojnë mjaltin e kallinjve të mendjes
sot, veçse të këqyra, sot thellësisht të këqyra jashtë lëkurës sime të rrjepur
ziente shqisa e kthimit në pikën e zezë ku ardhjen te Ti nisa
gjarpërinj e hiena dykëmbëshe të uritura kishin zënë prita
dhe lëvrinin në dogana lloje ngjyrash me çdo farë zërash të mykur e mynxyra

 

Frejus – Francë, dhjetor 2025

ERA E VENDLINDJES QË RUAN SHPIRTRAT- Nga LULZIM LOGU

 

Sapo ka dalë libri më i ri poetik i poetit Zef Mulaj nga shtëpia botuese SIMPLE,në Italisht Macerata! Vento custodisce l’anima.(Era ruan shpirtrat),poezi në Haiku , libri i 8-të në gjuhen italiane në mes 18 librave, shqip italisht, anglisht,gjermanisht. rumanisht.

Në parathënien që hap librin e ri shkruhet:
Nuk është vetëm një përmbledhje haikush: është një udhëtim i thellë i brendshëm që bashkon emocionin me mendimin, dhimbjen me rilindjen, dashurinë me ndërgjegjësimin shoqëror. Çdo poezi ecën me hap të lehtë, por të vendosur, si era që prek malet, fushat, qytetet dhe sidomos shtresat më të thella të shpirtit.
Autori është shkencëtar dhe poet — një ndërthurje e rrallë që i lejon të shohë botën me saktësi analitike dhe njëkohësisht të ndiejë bukurinë e saj të fshehur. Vështrimi shkencor kap hollësitë; zemra poetike i kthen ato në emocion universal. Ky ekuilibër i jep vargut një thellësi të veçantë: çdo rrokje është zgjedhur me kujdes, çdo imazh mban brenda një mesazh të fuqishëm.
Pak biografi për poetin e njohur tropojan i cili ka shumë vite që jeton në Itali:
Dr. Zef Mulaj lindi në fshatin Mulaj të krahinës Nikaj-Mërtur të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Ka punuar shumë vite në profesionin  e tij,  në zona të ndryshme të tropojes .Ka mbaruar studimet e larta në Degën e Farmacisë të Fakultetit të Mjekësisë të Tiranës.
Përveç punës së farmacistit, gjithnjë është marrë me kërkime shkencore, sidomos në studimin e bimësisë mjekësore të Alpeve Shqiptare.
Në vitin 1994, vendoset në Itali, me një bashkëpunim shkencor. Në vitin 1998 mbaroi studimet e larta edhe në universitetin Camerino të Italisë, ku mori titullin doktor i shkencave farmaceutike me studimin e bimësisë mjekësore të Alpeve të Shqipërisë.
Mbrojti titullin “Master akademik”,  me titullin Dr. në  shkencat “Metodikat analitike forense”, në universitetin La Sapienza – në Romë. Bashkëpunëtor shkencor në Katedrën e Farmakologjisë të Universitetit Politeknik në Marche të Italisë: Farmacia  klinika (Aplikative Sperimentale).Specializuar në Institutin e Medicinës Legale Departamentin e Kimisë Toksikologjike Forense në Universitetin Macerata Itali.Është pranuar në Albën e Rolit të Konsulentëve  dhe të Ekspertëve  Shkencorë në fushën e Kimisë  dhe Metodikat Analitike Forense në fushën e kriminologjisë shkencore.
Specialist në toksikologjinë klinike e ambientale; në farmakovigjilencë mjekësore; ekspert në kontrollin kimik të produkteve farmaceutike të lëndës së parë; specialist në fitoterapi  e  farmakonjozia, specialist në informatikën aplikative. Është i specializuar për ndërhyrjet e shpejta mjekësore, për Kryqin e Kuq Italian. Merret me hulumtimin dhe zbulimin e substancave të reja farmakologjike natyrore. Specializuar në aplikimin e instrumenteve më bashkëkohore shkencore, në ivestigimin analitik, në Kiminë Analitike Forense (Spetrometria e masës e  HPLC-së etj…) në fushën  shkencore të kriminologjisë, substancave abuzive, alimentare, shëndetin publik etj.
Ka marrë pjesë në kongrese e konventa ndërkombëtare,”Farmakovigjilenca dhe substancat abuzive”, konventa ndërkombëtare “Kimia  forense” etj.
Autor i  publikimeve,  mbi 40 artikuj dhe studime shkencore.
Anëtar i Shoqatës së Fitoterapisë në Repuplikën e Italisë, anëtar i Lidhjes Botërore të Poetëve Bashkëkohorë (World Poets Society), anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i shoqatës kulturore “Leopardian Komunity Itali”, anëtar nderi i shoqatës “Leopardian KomunityItali” me motivacion“Excellent në fushën e kulturës dhe të shkencës, njohur në Europë”.Is a member of Albanian-American Academy Science  and Arts.
Në vitin 2012, në njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, u zgjodh një nga njëqind shqiptarët e diasporës në Botë për arritjet në fushën e shkencës e të kulturës nga  “Albania Excellence”.
Vepra letrare dhe shkencore:
“Emri që lind diellin”, poezi, Tiranë, 2004.
“Mjegullvarur mbi Ballkan”, poezi, Tiranë, 2006.
“880 bimë mjekësore në Alpet e Shqipërisë, Weso,Tiranë, 2009.
“Imazh”, roman policesk, “Weso” Tiranë, 2011.
“Prendi per mano la miaombra” (Merr për dore hijen time), poezi, italisht – shqip, anglisht e gjermanisht, në Simple Macerata, 2011.
“Lulet e shpirtit”, poezi,“Filara”, Tiranë, 2012.
“Jetë e thyer” (Memory-roman), “Filara”, Tiranë, 2012.
“Altri occhi all’orizonte”(“Sytë e tjerë në horizont”), poezi, Editura Simple, Macerata – Itali, 2012.
“Pieni di sogni ifiumi”(Lumenj ëndrrash), Editura Simple, Macerata – Itali, 2014.
“Hëna, nuse e poetit”, “Edlora”, Tiranë, 2015;
“Sguardo oltre  iconfini”(Shikim përtej kufijve) (Roman polices, “Kimerik”,Mesina – Itali, 2015. “
“Atje qirinjët i i ndez dielli”, poezi , Editura  Edlora Tiranë  2019.
“Miracolo in gabbia, poezi Haiku ,Editura Simple Macerata Itali 2020

Era si metaforë dhe shpresë:
Era në librin e ri të Mulajt është një metaforë e prekshme, delikate dhe fluide, shpesh e padukshme, por thellësisht e ndjeshme teksa përshkon vargjet magjike të hajkut, ngarkuar mungesë dhe mall zhuritës për vendlindjen , larg të cilës jeton autori, fizikisht ndjehet aq larg, por mbi krahët e lehtë të hajkut udhëton në skutat më të mistershme të nënvetëdijes dhe qiellit të kujtimeve që reshin lot si shi.
Si guide e shpirtit të tij ngujuar luginave ngopur me mjegull dhe ritmin e valëve të lumit, me aromë dredhëze dhe parfumin e mrekullueshëm të pishave dhe bredhave të Alpeve, në hapat e mezidukshëm të dhive të egra që hukasin agimin e parë ashtu si në tablonë e famshme të piktorit të njohur tropojan Nazmi Hoxha, në akordet e ngrehur telave të lahutës së largët në mbrëmjet e festive ku prin silueta e adhuruar e Jezusit, në jehonat mbresëlënëse të zanit të malësorëve të cilër ruajnë pafund shijen e atdheut në kangët majekrahu dhe kcimet e shenjta…
Era e vjeshtës,
fytyra grash të forta
akulli s’i përkul…
Dashuria për vendlindjen, përjetimet e saj në portretet e dashura njerëzore dhe në gjurmë kujtimesh të paharruara, vetmia e idhët që e kaplon poetin në mungesë të saj, shpresa e mbijetuar e rikthimit dhe ringjallja e pejsazhit mahnitës të saj përftuar nga rrëfimet e kërkuara përditë për të ushqejnë gjetje befasuese të hajkut, strukture solide të figuracionit poetic dhe origjinalitet tematik si dhe stilt ë ngrohtë, i cili të josh pafund në ethet e leximit:
Në baltë të errët,
mbin një shpresë e re
nënë që shëron…
Kjo dashuri që ndihet nga thellësia e trishtë e krijimit, ndërsa poeti ngadhnjen mbi ëndrrat tronditëse të mallit dhe e bën poezinë e tij kaq të lehtë, hajkut ngjajnë si flutura që lodrojnë vargu të tij të ndjenjave:

Buzëqeshja jote,
dritë që thyen errësirën
më shpëton prapë…
Natyra në librin e Mulajt me erën si kryefjalë, me pejsazhet mahnitëse që shtrihen bukur në strukturën e hajkut, mëkuar mall, pritje, mungesë, shpresë, me frymë personazhesh tejet të pranishëm nga e shkuara dhe e ardhmja e tij jetësore shqëron udhëtimin e tij poetik duke njehësuar femininë, kujtimet, emrat e dashur dhe fytyrën e paharruar të vendlindjes gdhendur në trajtat dhe linjat më përfekte të një të dashure universal dhe të përjetshme:
Natë e thellë,
kush dëgjon vajin e tyre
heshtje e rëndë…

Ndjesi përmbledhëse pas leximit të parë:
Hajku i Mulajt ka frymë moderne, poeti shfaqet i angazhuar dhe i përditësuar në formë dhe figuracion ndërsa përcjell tematikat tronditëse të kohës në një rrafsh gjithëpërfshirës shpirtëror dhe social, vargjet përballojnë ngarkesën emocionale falë këtij përditësimi, qenja e autorit edhe si kerkues shkencor i jep përmasa interesante trajtimeve tematike dhe qendrimeve të tij poetike, hajku i tij ka identitet dhe personalitet duke e bërë një prej zëve më njohur të levruesve të tij në rrethin e gjërë të krijuesve bashkëkohorë të këtij lloji të poezisë.
Era e vendlindjes në këtë libër ruan mrekullueshëm shpirtrat njerëzorë dhe fton gjithësecilin prej nesh ta kemi gjithnjë brenda vetes të ngrohtë dhe të patjetërsueshëm atdheun si dimensionin më të shenjtë në udhëtimin tone bashkëkohor.

Janar 2026

Marguerite Duras nuk shkruante thjesht tregime. Ajo dëbonte fantazma- Nga BUJAR HUDHRI

Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, ajo kaloi një lumë për të takuar të dashurin e saj—dhe më pas kaloi pesëdhjetë vitet e ardhshme duke shkruar për atë çast të vetëm, pa pushim, derisa ai u shndërrua në obsesionin letrar më të famshëm të shekullit XX.
Marguerite Duras nuk shkruante thjesht tregime. Ajo dëbonte fantazma.
E lindur në vitin 1914, në vapën mbytëse të Indokinës Franceze, ajo u rrit në një peizazh që do të përndiqte çdo fjalë që do të shkruante ndonjëherë. Lumi Mekong. Dielli tropikal i pamëshirshëm. Pabarazitë brutale të jetës koloniale. Ajo botë u gdhend aq thellë në shpirtin e saj, saqë dekada më vonë, duke jetuar në Paris, ajo ende mund ta ndiente peshën e saj.
Fëmijëria e saj u shënua nga një lloj humbjeje që e rimodelon përgjithmonë një njeri. Kur ishte vetëm shtatë vjeçe, i ati vdiq, duke lënë nënën e saj—një mësuese shkolle—të përpiqej të mbijetonte si të mundte mbi një copë tokë pa vlerë, të cilën administrata koloniale ua kishte “dhuruar” në mënyrë cinike në vitin 1924. Marguerite e pa nënën e saj të thyhej nën peshën e presionit, duke rrëshqitur drejt dëshpërimit dhe një lloj çmendurie etheplotë, ndërsa përpiqej më kot ta bënte tokën e papunueshme të jepte diçka—çfarëdo qoftë.
Ky kontakt i hershëm me vuajtjen, me dhunën e varfërisë dhe të shfrytëzimit kolonial—u bë motori i gjithçkaje që Marguerite do të krijonte. Ajo e kuptoi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe që në moshë të re, se jeta nuk ndjek harqe rrëfimore të rregullta. Se e vërteta jeton në heshtje, në atë që nuk mund të thuhet, në hapësirat mes fjalëve ku kuptimi njëkohësisht fshihet dhe bërtet.
Ajo nuk ishte e interesuar t’ju tregonte se çfarë ndodhi. Donte që ju të ndienit si është të jetosh diçka aq intensive sa të të thyejë.
Në vitin 1929, kur ishte pesëmbëdhjetë vjeçe, ajo kaloi lumin Mekong me traget dhe takoi të dashurin e saj—një burrë i pasur kinez, në një kontekst shkelës, të rrezikshëm dhe shndërrues. Ai kalim, ajo marrëdhënie, ai çast u bënë obsesioni rreth të cilit ajo do të rrotullohej për pjesën tjetër të jetës.
Por ajo nuk shkruajti për këtë menjëherë. Së pari, ajo farkëtoi mjeshtërinë e saj. Në vitin 1950 botoi “Diga kundër detit”, duke u mbështetur në betejën e dështuar të nënës së saj me atë copë toke mizore. Pastaj, në vitin 1964, krijoi “Rrëmbimi i Lol Stein”, një kryevepër e lëvizjes franceze të “Romanit të Ri”, që e theu rrëfimin konvencional. Ajo copëzoi kohën. Përsëriste fraza si magji. I detyronte lexuesit të punonin për të rindërtuar çfarë po ndodhte, sepse kështu ndihet realisht kujtesa—e fragmentuar, obsesive, rrethore.
Dhe pastaj, në vitin 1984, kur ishte shtatëdhjetë vjeçe, ajo më në fund shkroi romanin “Dashnori”.
Libri u bë një sensacion ndërkombëtar, duke fituar çmimin prestigjioz francez Prix Goncourt. Por nuk pati sukses sepse ishte një kujtim romantik. Pati sukses sepse Marguerite kishte kaluar pesëdhjetë vjet duke mësuar si ta marrë një kujtim të vetëm dhe ta shpërbëjë aq plotësisht, ta rrotullojë aq shumë herë, të shqyrtojë çdo të metë e çdo çarje, saqë leximi të ndihej si përjetimi i drejtpërdrejtë i ndërgjegjes së dikujt tjetër.
Ajo shkroi për vajzën pesëmbëdhjetëvjeçare në traget me ndershmërinë brutale të dikujt që kishte jetuar mjaftueshëm gjatë për të kuptuar se çfarë do të thoshte vërtet ai çast. Jo si dukej nga jashtë, por çfarë ishte—dëshira, pabarazia e pushtetit, dhuna koloniale e thurur edhe në takimet më intime, mënyra se si vajzat e reja përdoren dhe hidhen tej, kompleksiteti i të dëshiruarit të diçkaje që njëkohësisht po të shkatërron.
Marguerite Duras e shndërroi parehatinë në art. Ajo refuzoi t’i ngushëllonte lexuesit me zgjidhje ose mbyllje. E kuptoi se disa përvoja nuk mbarojnë—ato thjesht vazhdojnë të jehonin, duke kërkuar të shqyrtohen sërish e sërish nga kënde të ndryshme, pa u bërë kurrë plotësisht të kuptueshme, por gjithmonë duke zbuluar diçka të re.
Stili i saj i të shkruarit—ajo përsëritje hipnotike, ato fragmente kohe të riorganizuara në modele jolineare, ai rrotullim obsesiv rreth të njëjtit çast—nuk ishte një marifet. Ishte e vetmja mënyrë për të qenë e ndershme me mënyrën se si funksionojnë realisht kujtesa dhe trauma.
Ajo vdiq në vitin 1996, pasi kishte kaluar tetë dekada duke dëshmuar se tregimet më të rëndësishme nuk kanë të bëjnë me atë që ndodhi, por me atë se si u ndje, çfarë kuptimi pati dhe si vazhdon të na formësojë shumë kohë pasi çasti ka kaluar.
Çdo shkrimtar që ka provuar të kapë peshën e heshtjes, që ka përdorur fragmentimin për të pasqyruar të vërtetën psikologjike, që ka refuzuar ta mbështjellë dhimbjen me një fjongo të bukur—punon në hapësirën që Marguerite Duras hapi.
Ajo na mësoi se ndonjëherë gjëja më e guximshme që mund të bëjë një shkrimtar është të kthehet te e njëjta plagë, herë pas here, jo për ta shëruar, por për ta kuptuar. Për t’i bërë lexuesit të rrinë me parehatinë, në vend që t’u ofrojnë përgjigje të lehta.
Ajo e kaloi atë lumë në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare. Dhe, në të vërtetë, kurrë nuk reshti së kaluari.

BRIXHIT BARDO- Poezi nga Konstandin Dhamo

 

Aktin e zhvirgjërimit tënd,
Që në vitet e pubertetit,
E qeshur, Brixhit, sfiduese dhe,
E çliruar,
Sapo dole në ballkon,
Tek u tregove miqve që po festonin,
Se, ç’kishte ndodhur,
E ktheve menjëherë
Në një devizë të njëmendtë,
Me një pankartë, veçse me një vulë gjaku ;
Tekst konciz telegrafik,
Që thoshte :

”Lëvizja feministe,
Revolucionin seksual të grave
Do të përndezë ! “

Kjo ishe ti,
Parisiania Brixhit Bardo,
Me energji vullkanike të pashtershme,
Pa të cilën,
Asnjë punë në këtë botë,
S’bëhet gjer në fund…

Kjo ishe ti,
Imponuese e paepur,
Çmendurisht e bukur dhe,
Magnetike
Si një planet më vete.

Ndonëse përgjithmonë,Brixhit,
Mbete me atë portretin tënd
Prej një çapkëneje të prapë
Dhe e llastuar ;
Po po,dhe me gojën e flaktë
Paksa të hapur
Dhe, dhëmbët e ndarë të ndritshëm….

E ngjeshe fort në prapavijë
Frontin e zi të moralistëve dogmatikë,
Ndrydhës dhe sundues,
Që kishin dënuar dhe sofrazhetat,
Qoftë dhe për një krim të kurdisur opinioni…

Vetë Simonë dë Bovuar,
Që shkëmbente përvojat erotike
Me Sartrin , bashkëshortin e saj filozof,
Deklaroi publikisht e bindur :

Pas Statujës së Lirisë
Asnjë femër tjetër n‘Amerikë ,
S’ka hedhur dritë
Sa ikona franceze
Brixhit Bardo!

Jo rastësisht, madamë Brixhit,
Filmin Dhe Zoti krijoi Gruan,
E luajte ti.

Eh…
Dhe në Shqipërinë komuniste
Të kyçur dhe të këputur,
Të Viteve Gjashtëdhjetë,
Kur se ç’frynte herë – herë
Një fllad lirie,
Para se të na përpinte
Revolucioni Kulturor Kinez,
Që përthau
“ Një mijë lulet – një mijë shkollat “konfuciane,
Vezulloi ikona jote, Brixhit;

Domethënë , i ndiqnim dhe ne filmat e tu;
Fotografitë e tua bardh e zi
I blinim te peshoret publike
Ndanë trotuareve…

Këngën për ty,
Brixhit Bardo, Bardo,
Të kënduar nga Dario Moreno,
E dëgjonim dhe
Endërronim !
Mjerisht,
Veçse ëndërronim…

E praruara leshraderdhur Bardo,
Si të kishe mbi krye
Krela rrezesh diellore
Që s’shuhen,
Një për një t’i numëruan
Të njëqind ( me gjasë ) dashnorët e tu ;
Një mijë cmirzinjtë e pafytyrë,
Që t’urrenin dhe intrigonin
S’t’i numëruan kurrë…

I ktheve krahët filmit
Në kulmin e suksesit,
Ende pa mbushur dyzet vjeç ;
Krahët ua ktheve madje
Dhe njerëzve,
Brixhit Bardo !

Ç’të lidhi përfundimisht
Me kafshët gjithfarësh ;
Ç’nevojë e shpirtit tënd,
E bukura Brixhit
Të nxiti të krijosh
Kopshtin tënd privat zoologjik ?

Kaq të padurueshëm t’u bënë
Kolegët e tu,
Kaq të shpifur e të urryer ?

Gjete vërtet një parajsë qetësie
N’atë kopshtin tënd që e zgjeroje
Me banorë të rinj,
Siç zgjerohej Barka e Noes
Në prag të lundrimit biblik…

Gjithsesi, buzëqeshem trishtueshëm
Sa herë vështroj fotot dhe videot e tua
Tek përqafon e puth me përgjërim
Qentë, macet, gomarët dhe kë jo,
Që të shohin në sy
Gjithë dashuri të sinqertë si e fëmijëve !
Eh, ai afeksioni yt për ato krijesa të pafajshme,
Sa prekës ish,sa prekës,
Megjithatë ,sërish Bardo
Armiqtë s’t’u shqitën.

Protestat e tua kundër therrjes së kafshëve,
I brofën në këmbë kasapët kundër teje,
Me vdekje të kërcënuan ata
Tek vringëllinin hanxharët
Që feksnin frikshëm…

Brixhit Bardo,
Si i le kafshët e gjora
Jetime!
Në kortezhin tënd mortor,
Më shumë se këdo,
Kafshët e tua do të desha
Të shihja ,
Të lotuara,
Të pikëlluara;
Prania e tyre ,
Më e denja do t’ishte !

Ato, eternalja Bordo
S’të lënduan
S‘të tradhtuan…
28/29 dhejtor 2025

Në Hagë- Cikël poetik nga Neki Lulaj

Në Hagë
Po fërshëllejnë acare mbi fytyrat e ndritura
Heroizmi dhe sakrificat e dëshmorëve  po zbehet
Po  mbulohen me lyshtër dhe me plaf të zi
Moj plakë e zgjebosur, ne gjithmonë qemë bonjakë
Apo hithra livadhi nën blirin e skëterrës.
Më ushqen kureshtja ta mësoj misterin e fshehtë.
Por drejtësia dhe e vërteta moti kanë ngordhur.
Në këtë kohë pa kohë po fryn sqotë bore nga Perëndimi.
UÇK-ja që mbrojti  nga agresori pragun  e nderin
Po gjykohet si dorë e krimit me pa të drejtë.
Është turp e mizori kjo çka po ndodh me herojt
E ky trishtim  futet si thikë mbi shpatulla shqipes
Zemra më është bërë mështeknë brengosëse
Nën këmbë po na gërryejnë  si urithi nëpër vrima
Armiqët puthadorë gjithandaj po gropojnë.
Ne puthëm shkurre e përqafuam murriza në kohëra
Mbi rrasën e kohës u mprehën ditët e padrejtësitë.
Hingëlluam prapa kalit tek avull nxirrte avull nga goja
Hënës ia ofruam gjoks e putra
E ju na i zhvleftësuat luftëtarë e  Lirisë tonë
Pasqyrë shpirti
Mbi samarin e jetës shoh si arnë një rreze dielli
Në leqet e vetvetes në lundrim pasqyrat pushtojnë kalanë
Kjo valë pellgu i shpirtit ky shekull plotë dallgë
Me cilin çarçaf u mbështoll hëna që ndrin botën mbarë
Ky lum terri ma rrënon muranën e degët e lisave
Me vesë i laka, e zogjtë me flatrat e veta engjëllore
Po bartin gjurmët e fërkimet e nata po gërhet
Si një plakë e lodhur që ecën përmbi pllaka
Me parmendë në dorë.
O pasqyrë e shpirtit tim
Me lër te mos harroj ashtin e fisit
Qe ne breza ardhmërinë ma rilind
Për ditët e reja të rizgjimit
Eci mbi samarët në stanët e pafund të jetës
E shtrëngoj leqet e shpirtit në lundrim
O,më trishtonky shekull me dallgë kërleshur
Që valë të reja më zgjoka në shpirt
E kërkoj çarçafë që të mbledh me duar hënën
Po lumi i territ po më bën udhën si murranë
Në degët e lisave mbledh vesën e  ëndërruar
E zogut ia prek flatrën e imtë e të bardhë
E mbaj me duar gjurmë të shumta fërkimi
E natën  si një qen tinza e dëboj
O moj kohë vrastare që vjen me shtigje verbimi
Mos u mplak me parmendë në dorë.
 
Shtegu i thinjur
Ajo vjen me buzë të purpura, të mbledhura.
Merr guximin e kalon shtegun që të thinj.
Në gjoks ka një det  dëshirash të ndezura
Perdet e shpirtit pëlcasin qiellin, kaltërsinë.
Ballin   e prek me ledhatime si  shurdhmemec.
Lëshojnë xixa stralli mes dremitjesh
Sikur bredhin kuajt në lamë, në udhën e shkretë.
Ne mes të oborrit shkurre mes moçalishtesh
Në dhomat e qiellit sërish terr,  brengë
Ta gjej shtegun në mes të vetëtimës
Të  ngjitem në majë të shkretëtirës së nxehtë
Botën e mykur ta hedhim mes luginës.
Në odën e zemrave shoh qiri të ndezur
E për rreth një botë te shurdhër në jerm.
T’i shqyejmë perdet e pendimit të egër
E buzëve të nxjerrin mjaltë e jo helm.
 
A  jemi ne ?
 A jemi ne
Shtegtarët e tokës me shkopij druri?
Apo zogjtë e qiellit me flatra që fluturojnë në qiell?
A jemi krijesat e ketij shekulli
Të spërkatur me pluhur meteorësh
Që kemi në krye thinja me  plotë dritë ?
A jemi ne
Të ngrohur në dimrin e thinjur me acar
Apo të ftohur me rreze maji me diell
Kur lulet sërish kanë rilindur?
A jemi ne
Njerëzit  me të dashurit e Zeusit
Dëshmitarët që i mallkuam gozhduesit e mjerë .
A ikëm  ne me vrap
Nga moçalet me shkarpa
E  bashkë u ngjitëm lart me stola qielli
Shkallëve të pavdeksisë
Në prehërin e tokës kokën e vumë në gurin e varrit
Ish jasteku i Nënë Lokës, i ngrohtë, i shtrenjtë.
Qe të jetojmë sa dheu i keësaj toke.
E dashur
 E dashur, sonte po rrimë pranë e pranë.
 Aromën e njëri-tjetrit me afsh po shijojmë.
 Të bëhemi të dy si pëllumba të bardhë
 Ti në Çamëri e unë në Ujman.
 Flokët gështenjë po t’i merr era
Uji i akullt ëmbël ma freskon zemrën.
Të jetojmë bashkë se na iku jeta
Ti në atë bokë e unë në këtë shteg.
Rrugëve të Çamërisë ecë ti si e dëbuar
 Vala e detit ta shton ngrohtësinë e nurin
Ulem aty mbi kalldrëmin e përmalluar
 Lulja e dashurisë po e shpon  gurin.
 Sa i dua i dua t´gjith njerëzit që  i ka mbi toka .
 Të gjithëve dua t`ua dhuroj një testament.
 Te kelithim se Çamëria është e jona.
 E të gjykojmë pse na ndau bota?
 Ikën vitet larg e larg në brigje kohe
 Shtiza e orës kurrë s`pushoi.
 Dua të lundroj gjatë n` Ujmanin ton
 Të prqafohm bashk në Çamërinë që na fton.
Kur ti vjen
Më erdhe me natën e qetë
Kur ajo kish rritur shtatin
Si ketri këmbëlehtë
Derën ngadalë e hape
Atë natë unë akoma s`kisha fjetë.
Isha thelluar në heshtjen time sublime
Si në kllapi ndijeva hapat e tua të lehtë.
Diçka befas më shpurpurisi mijëra kujtime.
Sa ndieva mallin që më zbukuronte këtë jetë.
Më erdhe si vetëtimë qielli
Që lumturojnë natyrën.
Me erdhe befas  te unë në këtë natë shenjtërie
Ti gëzimi i pashuar, ti shqiponja ime.
Ti erdhe natën në terr.
Por si Neon lëshoje dritë
Gjatë e pritëm njëri-tjetrin
Ti nga unë e unë nga ti
Kurrë s`kemi për të ikur në përjetësi.
Heshtja
Heshtja ecën me mua.
Heshtja lëviz si lokomotivë
Ma pushton trurin
Ushton në kokën time të trazuar.
Si stuhi rërë mbi shkretetirë.
Pas meje
Një mjegull vjeshte….
Gjethet me erën ikën pa adresë..
 Nga batica e saj
Ylberi rrit shtatin sa maja sa bregu
E Dielli ma rritë hijën
Ne mëngjesin e mbarë.
Ylberin s`munda kurrë me e zenë
Qe zbret mbi degë si zhurmë e pashkrua
Zgjon detin e fjetur si  një uragan
E bota po  bota pse vall është
Kaq shumë e trazuar?
Nuk dua t’i mbyll buzët e mia.
Të lodhura nga heshtje e tepruar.
E vitet po ikin si mjegulla mes lugine
Deri sa të shoh  dashurinë e kthyer
Dhe botën duke u përqafuar.

Parafjalë për Çamërinë- Poezi nga ATDHE GECI

Ne, që kemi shpallur një vullnet të ri

për Çamërinë shqiptare e Shqipërinë

fara e trimërisë  në  Epir  nuk shuhet,

që çamët të kthehen  të lirë në shtëpi.

Ky ogur i mirë  për  gjithë shqiptarët

do t´ia kthej famën e vet Çamërisë, e

atdheut do t´ia kthej emrin e vet, Iliri.

Në udhën drejt të  lashtëve  të  Epirit

pashë Pirron tek qante për Ledhëzën,

për fshatin e tij të lindjes e për Artën.

Me këtë shpallje dhe  këtë emër të ri

ne sot po  ia  japim  dorën Çamërisë,

bëmave të Pirros dhe zërit historik të

tij. Në Pargë e  gjithandej  Çamërisë,

ka burra  të  ndershëm  dhe  luftëtarë

që ia kalojnë figurave të  “Iliadës” së

së Homerit, që  me gjakun e vet dinë

ta realizojnë, Republikën e Çamërisë,

ëndrrën e lirisë të  epirotëve pellazgë.

Ipe të Epirit: Republikën e Çamërisë,

nuk ka ndryshkë kohe që atë e nxinë,

për aq sa shqiptarët i dalin zot vetes!…

.

Atdhe Geci – Den Hag, 30 tetor, 2016

KONFIGURIMI KLIENTELIST I JURIVE LETRARE, NJË FENOMENI I PËRSËRITUR, KU TË NJËJTËT INDIVIDË SHFAQEN NJË VIT SI ANËTARË JURIE DHE VITIN PASARDHËS SI FITUES ÇMIMESH, PËRBËN NJË KONFLIKT TË HAPUR INTERESI Nga dr. Mujë Buçpapaj

Reduktimi i zhanreve nga QKLL-ja, politikë regresive, braktisje institucionale e të ardhmes letrare kombëtare
-Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, një institucion që po minon ekosistemin e letërsisë shqipe
-“Konfigurimi klientelist i jurive letrare, një fenomeni i përsëritur, ku të njëjtët individë shfaqen një vit si anëtarë jurie dhe vitin pasardhës si fitues çmimesh, përbën një konflikt të hapur interesi”.
***
-“Ndërsa në vitin 2024, janë eliminuar kategoritë themelore: “Vëllimi më i mirë poetik”, “Vëllimi më i mirë me tregime”, “Libri më i mirë për fëmijë”! Ky eliminim nuk është një akt teknik apo neutral; ai përbën një akt politikash kulturore me pasoja strukturore. Poezia dhe tregimi janë laboratorët kryesorë të eksperimentimit estetik dhe të formimit të zërave të rinj. Letërsia për fëmijë është investim kulturor afatgjatë. Heqja e këtyre zhanreve nga sistemi i shpërblimit shtetëror nënkupton braktisjen institucionale të së ardhmes letrare”.
1. Kuadri institucional dhe funksioni normativ i çmimeve shtetërore
Në çdo sistem kulturor funksional, politikat shtetërore për librin dhe letërsinë nuk janë thjesht mekanizma administrativë, por instrumente normative, të cilat orientojnë zhvillimin estetik, etik dhe profesional të krijimtarisë kombëtare. Çmimet kombëtare të letërsisë, si çmime shtetërore, kanë një funksion të dyfishtë: së pari, të identifikojnë dhe shpërblejnë arritjet më të larta letrare, dhe së dyti, të stimulojnë zhanret strategjike për zhvillimin afatgjatë të kulturës letrare, si poezia, tregimi, drama, letërsia për fëmijë dhe përkthimi cilësor.
Në këtë kuptim, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL), si institucioni që formulon politikat e librit, cakton juritë dhe strukturon arkitekturën e çmimeve vjetore, mban një përgjegjësi themelore publike për shëndetin estetik dhe konkurrues të letërsisë shqipe.
2. Reduktimi i zhanreve, shenjë e një politike regresive
Krahasimi ndërmjet Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2023 dhe atyre për vitin 2024 nxjerr në pah një fenomen shqetësues: reduktimin arbitrar të zhanreve letrare që tradicionalisht kanë qenë objekt stimulimi nga Ministria e Kulturës.Në vitin 2023, spektri i çmimeve përfshinte: romanin, poezinë, tregimin, letërsinë për fëmijë, studimin shkencor dhe përkthimin letrar. Ndërsa në vitin 2024, janë eliminuar kategoritë themelore: “Vëllimi më i mirë poetik”, “Vëllimi më i mirë me tregime”, “Libri më i mirë për fëmijë”!
Ky eliminim nuk është një akt teknik apo neutral; ai përbën një akt politikash kulturore me pasoja strukturore. Poezia dhe tregimi janë laboratorët kryesorë të eksperimentimit estetik dhe të formimit të zërave të rinj. Letërsia për fëmijë është investim kulturor afatgjatë. Heqja e këtyre zhanreve nga sistemi i shpërblimit shtetëror nënkupton braktisjen institucionale të së ardhmes letrare.
3. Juritë letrare dhe qarku i mbyllur i klientelizmit
Një nga problemet më serioze të QKLL-së është konfigurimi klientelist i jurive letrare. Fenomeni i përsëritur, ku të njëjtët individë shfaqen një vit si anëtarë jurie dhe vitin pasardhës si fitues çmimesh, përbën një konflikt të hapur interesi, që bie ndesh me çdo standard etik të institucioneve kulturore në hapësirën evropiane.
Ky qark i mbyllur: shuan konkurrencën reale, përjashton autorët e pavarur dhe zërat e rinj, krijon një kanon artificial, të bazuar jo në vlerë estetike, por në afiliacion institucional dhe botues.
Në vend të një fushe letrare të hapur dhe meritokratike, kemi të bëjmë me një mikrosistem oligarkik, ku një grusht autorësh, kritikësh dhe shtëpish botuese gjysmë-shtetërore riciklojnë njëri-tjetrin në mënyrë të vazhdueshme. Rezultati: fitojnë një grup krijuesish me vlera të dyshimta letrare dhe shpesh medikore dhe e pëson e ardhmja e letërsisë shqipe, konkurenca në nivel kombëtar dhe nderkombëtar.
4. Mediokriteti si normë institucionale
Politikat aktuale të QKLL-së nuk stimulojnë ekselencën, por normalizojnë mediokritetin. Vepra pa vlera të larta estetike, pa ambicie formale dhe pa ndikim afatgjatë promovohen si “arritje kombëtare”, duke prodhuar një letërsi: pa densitet estetik, pa universalitet tematik, pa potencial për përkthim dhe konkurrencë ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, institucioni që, sipas misionit të vet zyrtar, duhet të “mbështesë promovimin e letrave shqipe në tregun evropian dhe botëror”, realisht prodhon izolim kulturor dhe vetëkënaqësi provincial të të vetëshpallurve “elita”.
5. Diskrepanca midis misionit dhe praktikës
Politika zyrtare e misionit të QKLL-së artikulon synime të larta: nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit edukativ të bibliotekave, përhapjen e kulturës së leximit dhe promovimin ndërkombëtar të letërsisë shqipe. Por praktika konkrete dëshmon të kundërtën diametrale: nxitje të klaneve, mbyllje të konkurrencës, shterim të diversitetit estetik, instrumentalizim të çmimeve shtetërore në favor të interesave të ngushta botuese.
Ky hendek midis diskursit dhe realitetit e bën QKLL-në një institucion formal pa legjitimitet kulturor real. Pra, diskrepanca në këtë rast thekson kontrastin e fortë dhe kontradiktën midis fjalëve dhe veprave, midis deklarimeve publike dhe rezultateve reale. Misioni zyrtar i QKLL-së është shpall ideale dhe qëllime pozitive (krijimtari, edukim, kulturë leximi, promovim ndërkombëtar), ndërsa veprimet konkrete të institucionit në realitet shkojnë në drejtim të kundërt (favorizime, mbyllje gare, mungesë diversiteti, përdorim i çmimeve për interesa të ngushta).
6. Një institucion i dështuar që kërkon rishikim rrënjësor
Në gjendjen aktuale, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nuk funksionon si katalizator i zhvillimit letrar, por si frenues i tij. Ajo po minon themelet e ekosistemit letrar shqiptar, duke zëvendësuar konkurrencën me klientelizmin, vlerën me konformizmin dhe vizionin afatgjatë me interesa të momentit.
Ky është një fenomen që duhet denoncuar publikisht dhe akademikisht, sepse nuk kemi të bëjmë me gabime sporadike, por me një model të konsoliduar dështimi institucional, i cili, nëse nuk rishikohet rrënjësisht, rrezikon të lërë letërsinë shqipe pa oksigjen estetik dhe pa të ardhme reale.
SI MUND TË PËRMIRËSOHET SITUATA E DEGRADUAR E POLITIKAVE TË LIBRIT NË SHQIPËRI?
Nga kapja institucionale drejt rindërtimit të autonomisë së fushës letrare
1. Diagnoza: pse reforma kozmetike nuk mjafton!?
Në gjendjen aktuale, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) nuk vuan nga defekte të pjesshme, por nga një krizë strukturore legjitimiteti. Në termat e sociologjisë institucionale, kemi të bëjmë me një organizatë që:
• ka humbur besimin e aktorëve kryesorë të fushës letrare,
• operon nëpërmjet rrjeteve klienteliste të stabilizuara,
• Prodhon politika që rrisin heteronominë e fushës. (Pra vendimmarrja në fushën letrare nuk bazohet më në vlerën artistike, meritën, autonominë profesionale; por ndikohet nga politika, klientelizmi, interesa personale, ideologji apo pushtet administrative).
Në këtë fazë, reforma inkrementale (ndryshime personeli, rregullore të pjesshme) ka shumë gjasa të riciklojë të njëjtin habitus institucional. Prandaj, pyetja nuk është thjesht a të reformohet QKLL-ja, por çfarë lloj ndërhyrjeje është teorikisht dhe praktikisht e mjaftueshme.
2. Tre skenarë reformimi: analiza kritike
Skenari I: Shkrirja e QKLL-së dhe rindërtimi nga e para
(Reset institucional)
Ky është skenari më radikal, por edhe më koherent nga pikëpamja teorike.
Argumente pro:
• Ndërpret vazhdimësinë e habitus-it klientelist.
• Lejon rikonceptimin e misionit, strukturës dhe mekanizmave të shpërndarjes së kapitalit simbolik.
• Rikthen besimin e komunitetit letrar, duke krijuar një moment rifondimi simbolik.
• Rindërtimi shoqërohet me garanci autonomie.
• Përjashton zëvendësimin e një elite me një tjetër, nëse kriteret mbeten të paqarta.
Pse është i justifikuar rindërtimi?
Sepse institucioni:
• ka humbur plotësisht legjitimitetin,
• nuk perceptohet më si arbitër neutral,
• dhe funksionon si aparat riprodhimi i pabarazive.
Nga analiza e viteve të fundit, QKLL i përmbush këto kushte.
SKENARI II: RISTRUKTURIM I THELLË ME AUDIT TË JASHTËM
(Reformë e detyruar nga jashtë)
Ky model është aplikuar në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore pas kapjes së institucioneve kulturore.
Elementet kyçe:
• Audit i pavarur ndërkombëtar (ekspertë të politikave kulturore).
• Rishkrim i plotë i rregullores së çmimeve.
• Shpërndarje e qartë e kompetencave ndërmjet ministrisë, institucionit dhe jurive.
Avantazh:
• Ruhet kontinuiteti institucional, por thyhen mekanizmat informalë të pushtetit.
Kufizim:
• Nëse stafi dhe drejtuesit mbeten të njëjtë, habitus-i ka tendencë të riprodhohet.
Skenari III: Decentralizim i politikave të librit
(Shpërndarje e kapitalit simbolik)
Në këtë model, QKLL-ja humbet monopolin mbi çmimet dhe politikat e librit.
Masat kryesore:
• Çmimet kombëtare ndahen nga juritë e pavarura tematike.
• Krijohen fonde të dedikuara për zhanre specifike (poezi, tregim, letërsi për fëmijë).
• Bibliotekat dhe universitetet përfshihen si aktorë vlerësues.
Ky model rrit pluralizmin estetik dhe redukton rrezikun e kapjes.
3. Modele krahasuese nga Europa dhe rajoni
a) Franca – autonomi e garantuar
Institucione si Centre National du Livre funksionojnë me:
• juritë që ndryshojnë çdo vit,
• rregulla strikte për konfliktin e interesit,
• ndarje të qartë mes financimit dhe vlerësimit estetik.
b) Sllovenia – profesionalizim dhe transparencë
Agjencia Sllovene e Librit ka:
• kritere të publikuara në detaje,
• raportim vjetor publik për çdo vendim,
• përfshirje të akademisë dhe kritikës universitare.
c) Kroacia – rotacion dhe diversitet
Juritë janë:
• të përkohshme,
• me përfaqësim rajonal dhe gjinor,
• pa të drejtë rikandidimi të menjëhershëm.
4. Parime themelore për rindërtimin e një institucioni funksional
Çfarëdo modeli të zgjidhet, disa parime janë të panegociueshme:
1. Autonomia e fushës letrare nga politika dhe klientelizmi.
2. Transparenca radikale e procedurave dhe vendimeve.
3. Rotacioni i detyrueshëm i jurive dhe drejtuesve.
4. Ndarja e qartë e rolit të vlerësuesit nga përfituesi.
5. Rivendosja e të gjitha zhanreve strategjike në çmimet shtetërore.
5. Përfundim: shkrirje apo reformë?
Nga një këndvështrim strikt akademik dhe sociologjik, shkrirja e QKLL-së dhe rindërtimi i saj mbi parime të reja autonomie dhe profesionalizmi është zgjidhja më koherente për të ndërprerë ciklin e klientelizmit.
Megjithatë, kjo ka kuptim vetëm nëse shoqërohet me:
• një kornizë ligjore të fortë,
• përfshirje reale të komunitetit letrar,
• dhe modele të provuara europiane.
Përndryshe, rrezikojmë atë që Bourdieu e përshkruan si “iluzionin e reformës”: ndryshim forme, por jo strukture.

TË SHOH- Poezi nga BEKIM I. BLAKU

Të shoh,
nga larg,
përtej kufijve të botërave,
nëpër korridore të ëndrrave të mia.

.
Gumëzhijnë forma dhe plane
të dëshirave të skalitura.
Sonte edhe yjet paskan marrë
një konstelacion tjetër.

.
Erë veriu apo ngrohtësi e jugut,
nuk mund ta përcaktoj dot.
Kohëzgjatja e ëndrrave
është si gjithnjë krye më vete,
e dielli i dëshirave dhe ëndrrave
më ngroh përditë e më shumë.

.
Teksa hija ime zgjatet e zgjatet
në drejtim të kundërt me ty,
Dielli im.

.
Bekim I. Blaku
Berlin, 11 janar 2026

Njerëz në trajtë, djaj në gjenezë (Atyre që kryen gjenocid në Raçak dhe Srebrenicë)- Poezi nga ARIF EJUPI

Në dukje – në trajtë njeriu,
në gjenezë – pjellë djalli.
Me mendje plot tallaze,
ushqimi i preferuar: gjaku.
Dëfrimi i tyre – të therin, të vrasin
njerëz të pafajshëm.
Identiteti: kriminelë të klasit të parë.
Dëmshpërblimi për viktimat?
Kriminelëve — u humbtë rrënjë e farë!

.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 15 janar 2026

.


P.S. Pamje që ilustron forcat policore dhe ushtarake të regjimit serb gjatë luftës në Kosovë, të përfshira në operacione të organizuara që çuan në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, posaçërisht ndaj popullsisë civile.

GJURMËT E DODONËS- Cikël poetik nga AGIM DESKU

 

GJURMËT E DODONËS

Para se Homeri të mësonte të këndojë
unë isha zëri
Pellazg i rrënjëve të Dodonës
i rritur nën lisat që flisnin
me gjuhën e erës dhe të gjakut
Këtu s’fillon historia
këtu lind fjala
Zotat ende s’kishin emra
por plagët e tyre më njihnin
dhe toka i mbante mend hapat e parë të njeriut
Kur Adami s’ishte mit
por frymë
dhe e vërteta s’kishte pasqyrë
bukuria ra mbi botë
si dënim i butë
Më dhembën zotat
se dashuruan tepër
Më dhembi njeriu
se s’dinte ta mbante dashurinë
Në Dodonë s’u puth askush në fshehtësi
këtu puthja ishte betim
gjaku s’derdhej për pushtet
por për besë
Trëndafili s’u vra kurrë
aroma e tij u fsheh në gjuhë
që ta ruajmë brez pas brezi
Tani jam rojtar i lisit të shenjtë
kalorës pa armë
me një varg në dorë
dhe një plagë të ndritshme në kraharor
Ngjitem në Olimp
jo për t’u bërë zot
por për t’ua kujtuar
se nga Dodona u ngritën
Diellin e mbaj në heshtje
se drita e tepërt djeg
ndërsa dashuria kërkon hije
për t’u rritur
Nëse rebelohen vargjet
është se gjaku i vjetër zgjohet
Unë i përkas së bukurës
që s’vdes
as kur mitet bien
Me Penelopën pellazge
ruaj kohën, jo pritjen
se besnikëria s’është vonesë
por rrënjë
Fjalën ia fal
vetëm atyre
që guxojnë të jetojnë për dashurinë.

11 janar 2026 Agim Desku

DUA TË THEM DIÇKA

Dua t’i them diçka mbrëmjes
por në të vërtetë
dua ta them ty
Sonte, nëse vjen, eja
me shkëlqimin e yjeve që dridhen
të të shoh si ndriçon nën qerpikët e mi
aty ku zemra harron të mbrohet
Mos u vono
Vetmia ime të njeh në errësirë
të kërkon orë e çast
si trupi trupin e vet
Dua të them diçka
që askush s’e ka thënë për dy mijë vjet
një fjalë që zanat e mbajtën në gji
derisa dashuria gjeti zërin tim
Sot rri në vargun tim
si e bukura që s’ka nevojë për emër
Nuk flas më për heronj
as për bëma që i numëron historia
Heroizmi im je ti
kur më sheh pa maskë
dhe nuk largohesh
Lashtësia shembet mes nesh
si gur i ngrohtë
Homeri hesht në mendjen time
dhe Zeusi mbyll portën e qiellit
se sonte bota mjafton për dy
Ne e morëm dashurinë
nga të dashuruarit marrëzisht
që zgjodhën të digjen
në vend se të ftohen
Krijuam kohë në frymëmarrje
krijuam jetë në një prekje
Me shekujt luftuam frikën
por te ti u dorëzova
Gjithçka nga pak falëm
veç zemrën
atë ta dhashë të plotë
Besën nuk e mbajta si fjalë
por si trup pranë trupit tënd
Sepse dashuria jonë
është i vetmi atdhe
ku dua të kthehem.
15 janar 2026 Agim Desku

FJALËT E DHEMBJES I DO DASHURIA

Kurrë nuk u shkruan fjalët e bukura për dashurinë
nëse banon në shpirtin ku plagët s’kanë shërim
dhe në strehën e gjethit të trëndafilit
ku gjaku i heshtur pikon erë
Dashuria nuk vjen e pastër
ajo vjen me duar të dridhura
me zë që thyhet në gjysmëfjalë
me trup që di të qëndrojë pranë
edhe kur shpirti ka frikë
Ajo i do fjalët e dhembjes
ato që s’guxojnë të bëhen poezi
ato që flenë nën gjuhë
si lot i patharë
Të dua
jo kur jam dritë
por kur errësira më mban frymën pezull
kur mëson trupin tim
si të mos ikë nga vetja
Nëse më puth
bëje ngadalë
siç preket një plagë e vjetër
që ende beson te shërimi
Mos më premto parajsa
më mjafton një natë
ku nuk më pyet pse jam e thyer

por pse ende rrah
Dashuria ime s’ka parfum
ka erë shiu mbi asfalt
ka shije kripë nga buzët
që kanë mësuar të presin
Nëse do të më duash
duaje këtë brishtësi
këtë trup që dridhet
jo nga ftohti
por nga frika
se mund të humbasë përsëri
Sepse dashuria e vërtetë
nuk lind nga fjalët e bukura
por nga guximi për të qëndruar
kur dhembja flet më fort se zemra.
14 janar 2026 Agim Desku

POEZI

Me zemër të madhe më je
më shumë se mbretëreshë të dua

Në sytë e tu mësova
si mbrohet drita nga errësira
dhe si dashuria
nuk kërkon fron
por frymë

Të nxora nga thellësia e detit
nën plagët e Titanikut të kohës
aty ku heshtja kishte emër
dhe shpresa ishte e mbytur

Aty u bëre dhimbja e vargut
e bukur, e thellë, e pashmangshme
dhe kënga ndaloi për një çast
nga frika se mos thyhej

Lasgushi e Serembe
ikën me mallin e vargut rebel
por na lanë zjarrin e fjalës
si amanet dashurie

Një natë morti lotova
jo për vdekjen
por për pyetjen që më përndoqi
kush do të jetë pronari yt
kush do të guxojë
të të marrë nën pushtetin e tij

Unë s’dua pushtet mbi ty
dua ecje krah për krah

S’dua të besoj
se kemi mbetur në vetmi
sepse dashuria na takon
edhe kur bëhet yll
dhe digjet larg

Kam për të të gjetur
edhe aty ku bren miza hekur
aty ku shpresa duket e pamundur
dhe fjala vdes pa u thënë

Mos u dorëzo për dashurinë e Ledit
mos jeto kurrë në ëndrra hienash
sepse ti s’je hije
ti je agim

Atëherë do të jesh ëndrra ime
jo ajo që ikën në mëngjes
por ajo që qëndron
edhe kur nata zgjatet

S’dua të të lë në dhembje
se po mbete
bëhesh dhembja ime e jetës

Të betohem në dashurinë e Ledit
kalorësi yt mbetëm
për jetë të jetës
jo me shpatë
por me fjalë që mbrojnë
me vargje që çlirojnë

Luftëtar i betejave të heshtura
për lirinë dhe dashurinë e vargut
do të jem streha jote
kur bota lodhet
dhe emri yt
do të jetë fjala ime e fundit
në çdo poezi.

06 janar 2026
Agim Desku

 

KOHË TRËNDAFILASH

Dhjetori këtë vit mbahet në kujtesë
Për thënien e filozofit Ruso
Kur njeriu lind i lirë
Duhet ta gëzoj lirinë e vërtetë
Dhe çdo kohë ka bukurinë e vet
Edhe dhjetori këtë vit mbahet mend
Për diellin që ka hy në secilën shtëpi
Trëndafilave ju ka sjell ngrohtêsi
Stinët për pak çaste i kanë ndërrue kohët
Vjeshta është shndërrue në pranverë
Acarë janë tretur diku larg
Thonë ku miza bren hekur
S’ka më as hanibal ante portas
Mjaft përjetuam ferrin e Dantes
Pa pasur kurrë guxim më u gëzue
Sot dua të bërtas deri tek yjet
Të dëgjohet zëri i kohës se trëndafilave
Është koha ime që e kam prit dymijë vjet
Kujtim për brezat që do të vijnë
Poetët të thurin vargje olimpi pēr këtë kohë
Piktorët të krijojnë Monalizën
Për trëndafilin e Çamërisë
Koha është sot o kurrë
Të shtrohet sofra e bashkimit
Të ngritet gota e dollisē
Që nga jugu në veri
Malësi ,Preshëvë ,Iliridë e Çamëri
Cep me cep janë shqipe e zana
Në djep me yll Davidi na ka rritë nana
Më duhet më u lutë e më fal urata

Edhe për miqtë e mi që fal tyre
Sot jemi shndërruar në mbretêri.
29 dhjetor 2025 Agim Desku

KRYEVEPËR

Në vargun tim
je titulli i poezisë lirike
kryevepër
për sytë e tu
që bëjnë dritë
në vend të diellit

Kur hesht bota
ti më flet me qepalla
dhe fjala lind pa zë
si lutje e fshehtë në shpirt

Në çdo frymëmarrje të vargut
ti je theksi që s’më lë të bie
ritmi që më mban gjallë
dashuria që nuk kërkon emër

Nëse poezia ime do të digjej
ti do mbeteshe hiri i shenjtë
ku zemra ngroh duart
dhe mëson të besojë prapë

Ti s’je vetëm muzë
je shtëpia ku kthehet fjala
je kryevepra
që nuk mbaron kurrë.
MËKATET E TRËNDAFILIT

Nëse s’di të dashurosh
si hero i gjallë
të zë mëkati i Adamit
si hije e ngrohtë në palcë

S’të dua trëndafil të vyshkur
por aromë që ngjitet në frymë
deri në Kullën e Ajfelit
deri aty ku puthjet
kanë frikë nga lartësia

Dua të jetosh pranë syve të mi
me guximin për t’u parë lakuriq në shpirt
të më shpëtosh
nga koha e vrarë
që na rrethon si mjegull

Koha ime është dëshmitare
e fjalës që ia dhashë mikës
dashurisë së çmendur
pa mëkat
që s’e dogji kurrë
ferri i Dantes
sepse u ndez ngadalë
si zjarr që e njeh durimin

Dashuritë e poetit
janë histori ëndrrash
që s’i zë as pluhuri i shekujve
sepse jetojnë më gjatë
se trupat që i lindën

Në vargjet e Lasgushit
i kaloj mbrëmjet e vetmuara
si lutje të heshtura mbi lëkurë
ku fjala dridhet
para se të bëhet ndjenjë

Nëse muza më rri pranë
vargjet prekin agimin
me gishta drite
dhe trupi mësohet
të mos ketë frikë nga dëshira

E kujtoj Seremben
dashurinë e tij të dhembshme
si plagë që s’pranon shërim
por që të mëson
si të jetosh me mungesën

Valëve të detit ua mallkoj fatin
pse ia fundosën shpirtin Titanikut
kur dashuria kërkon vetëm
një prekje të lehtë
për të mos u mbytur

Por jo vargun
Ai mbijetoi
Erdhi deri në kohën time
për të më dëshmuar
se dashuria e vërtetë
nuk mbytet
vetëm ndryshon formë
dhe mbetet aromë.

08 janar 2026
Agim Desku

SA MIRË ME QEN POET

Sa mirë me qen poet
Me i zbritë yjet në tokë
trëndafilave të pranverës
me ua marrë aromën i pari

Çlirimtares me i thurë hymne atdheu
në dashuri me qenë Hyji i vargut të Zeusit
në legjenda me mbetë emri yt
si Promethe i rikthyer në atdhedashuri

Sa mirë me qen poet
kur fjala digjet e nuk shkrumbohet
kur vargu bëhet strehë
për plagët që s’i shëron koha
Me ia mësu dhembjes gjuhën e dritës
me ia kthye lotit kuptimin
me e mbajtë atdheun në gjoks
si një zemër që s’pushon kurrë së rrahuri

Poeti s’ka fron
por mban mbi supe qiellin
s’ka kurorë
por mban përgjegjësinë e fjalës

Ai ecën mes hirit e shpresës
me vargje që ndezin agime
dhe kur bota hesht
ai flet
që njeriu të mos harrojë veten

Sa mirë me qen poet
me qenë rojtar i kujtesës
dëshmitar i kohës
zë i së vërtetës që s’pranon pranga.

O1 Janar 2026
Agim Desku
Ti dërgove
ÇAST

Ndjej çdo çast mungesën tënde
Si prani që dhemb
Është një hap i munguar në dhomë
një frymëmarrje që përputhet
me timen
një dritë që mbetet ndezur
edhe kur s’je
Humbas mendimet
në fjalët tua
ato që m’i le në heshtje
ato që nuk i the kurrë
por që i dëgjoj
sa herë mbyll sytë
Mendimet më shpërndahen
si petale mbi ujë
dhe çdo rreth që krijojnë
më kthen te ti
S’gjej dot tjetër fjalë
të ta them
sepse gjuha më bëhet e varfër
përballë ndjenjës
Fjalori i botës
nuk mjafton
kur zemra flet me rrahje
jo me tinguj
Nga zemra nxjerr
fjalën “të dua”
jo si shprehje
por si rrëfim të zhveshur
si të vërtetë
që s’ka nevojë për dëshmi
E nxjerr ngadalë
me frikën se mos thyhet,
si një gotë kristali
në duar të dridhura
Çasti me ty
është kohë pa orë
është ndalesë
në rrugën e ngutjes
Kur je pranë
dita harron të perëndojë
nata harron të errësohet
dhe unë harroj
të jem i vetëm
Mungesa jote
më mëson dashurinë
në formën e saj më të vështirë
të presësh pa u ankuar
të duash pa zotëruar
të qëndrosh
pa premtim kthimi
Ajo më bën më të heshtur
por më të thellë.
Në çdo çast
të kërkoj në gjëra të vogla:
në aromën e kafesë së mëngjesit
në dritaren që hapet vetë
në këngën që s’e kam zgjedhur
por që më gjen
Gjithçka flet për ty
pa e ditur
Dashuria jote
nuk është strehë e zhurmshme
por shtëpi e qetë
Aty ku fjala pushon
dhe mjafton të jesh
Aty ku plagët
nuk fshihen
por shërohen
duke u prekur me butësi
Ka çaste
kur më duket se dashuria
është vetëm ky moment
unë duke menduar për ty
dhe ti, diku
duke mos e ditur
sa shumë më mungon
Por ndoshta
pikërisht aty
ajo bëhet e plotë
Nëse një ditë
fjalët më tradhtojnë
nëse zëri më thyhet
në mes të rrëfimit
mbaje mend këtë:
çdo heshtje e imja
ka emrin tënd
çdo rrahje zemre
të thotë të dua
Sepse dashuria
nuk matet me premtime
as me kohë
as me praninë fizike
Ajo matet me çaste
dhe çdo çast pa ty
është dëshmi
se sa thellë
të kam.

26 dhjetor 2025
Agim Desku

NJË JETË JETOVA BRENDA NJË DITE

Dhjetori mban shenja të fshehta në gur
kohë kur orakujt heshtin nën stuhi.
Dielli, biri i zjarrit të përjetshëm
zbret për një çast
e thyen kurorën e acarit
Unë qëndroj në prag
jo si njeri
por si flijim
dhe vargjet e mia bëhen altar
Trupi im ngrihet në lutje
drejtuar zotave të dritës
Rrezet bien mbi Via Egnatia
rrugë e perëndive dhe e mërgimtarëve
ku këmbët e fatit kanë lënë plagë
Aty shkrin dimri
aty ndizet festa e diellit
si në kohët kur njerëzit i këndonin Heliosit
Në gjumin e orakullit
njeriu kthehet në ëndërr
ëndrra merr frymë njerëzore
Lumturia s’njihet me pranga
kur lutja ka lindur
nga agimi i një zemre të copëtuar
Një jetë jetova brenda një dite
si heronjtë para betejës së fundit
Pulëbardhat, lajmëtare të detit të shenjtë
më shoqëruan në qiellin blu
ku shpirtrat udhëtojnë pa kthim
Via Egnatia e di sekretin tonë
aty na u lidh shpirti binjak
me zinxhirë të padukshëm
Zemrat u thërrmuan
në pluhur yjor
si pas ndëshkimit të perëndive xheloze
Diellit ia dhashë betimin
Hënës ia lashë uratën
Një nga zotat e Olimpit
zbriti e u bë Hyji im
ndërsa hyjnesha e fjalës
më premtoi kthim
Ajo vjen
si Persefona nga nëntoka
kur pranvera fiton mbi errësirën
O Hyj, o Hyjneshë e vargut
mëshironi këtë shpirt njerëzor
që ëndrrat t’i bëhen fat
dhe dashuria ,ligj i pavdekshëm.

30 dhjetor 2025 ,Agim Desku
Ti dërgove
SA MIRË ME QEN POET

Sa mirë me qen poet
Me i zbritë yjet në tokë,
trëndafilave të pranverës
me ua marrë aromën i pari.
Çlirimtares me i thurë hymne atdheu,
në dashuri me qenë Hyji i vargut të Zeusit,
në legjenda me mbetë emri yt
si Promethe i rikthyer në atdhedashuri.
Sa mirë me qen poet
kur fjala digjet e nuk shkrumbohet,
kur vargu bëhet strehë
për plagët që s’i shëron koha.
Me ia mësu dhimbjes gjuhën e dritës,
me ia kthye lotit kuptimin,
me e mbajtë atdheun në gjoks
si një zemër që s’pushon kurrë së rrahuri.
Poeti s’ka fron,
por mban mbi supe qiellin,
s’ka kurorë,
por mban përgjegjësinë e fjalës.
Ai ecën mes hirit e shpresës,
me vargje që ndezin agime,
dhe kur bota hesht,
ai flet
që njeriu të mos harrojë veten.
Sa mirë me qen poet,
me qenë rojtar i kujtesës,
dëshmitar i kohës,
zë i së vërtetës që s’pranon pranga.
31 dhjetorAgim Desku

LETËR E BARDHË
-PËR TY!

Sot po të shkruaj në një letër të bardhë
jo se s’kam fjalë
por sepse vetëm e bardha
di të mbajë peshën e kujtimeve pa u thyer
E mbusha me një vit të lënë mbrapa
aq shumë sa ditari im u lodh
dhe mbylli kapakun në heshtje
Nuk po të flas për botën
ajo është plot zhurmë e urrejtje
që na vjen trashëgim nga shekuj të errët
Unë po të shkruaj vetëm për të bukurat
ato që s’i dogji koha
dhe s’i preku harresa
E di, koha e artë nuk kthehet më
Por kujtimi i saj
ende më ecën pranë
si mbrëmjet kur shëtisnim nën yje
kur hëna mbante kurorë mbretëreshe
dhe nata na njihte me emër
Fluturat na ndiqnin pa frikë
sikur ta dinin se po ruanin një çast
që s’do të përsëritej kurrë
Në ditarin tim kishte gjithmonë vend për ty
Ti ishe faqja më e ndritur
ajo që nuk kërkonte zbukurime
Më mësove se shoqëria
nuk ka nevojë për fjalë të mëdha
vetëm për praninë që nuk ikën
as kur gjithçka tjetër tretet
I kujton dollitë tona
Sofrën e shtruar me bukë e kripë
zemrën e traditës shqiptare
që na mbante bashkë pa kushte
Qeshnim, dhe pa e ditur
po pinim për një ndarje të heshtur
për një rrugë që do të na merrte
secili në anën e vet të jetës
Sot, kjo letër mbetet e bardhë vetëm në dukje
Brenda saj jam unë
me kujtimet që s’kthehen më
por që s’pranuan kurrë të vdesin
Janë zëri yt në mendimet e mia
janë pyetjet që nuk presin përgjigje
Po të shkruaj jo për të të kthyer
as për ta kthyer kohën
por për të të ruajtur
aty ku asgjë nuk na ndan
në kujtesën që bëhet lutje
dhe në miqësinë
që mbetet shtëpi e shpirtit
Gjithmonë,
unë. 01 janar 2026 Agim Desku

KOHË GJILPERE DHE ZEMËR DRITE

Më i rikujtue kohërat e popullit tim
është sikur me jetu në vrimë gjilpërash
me e futë frymën në një pikë dhimbjeje
e prapë me dalë gjallë

Më u përballue me ferrin e Dantes
pa udhërrëfyes
dhemb për dhemb
me i luftue bajlozët e detit e të tokës
ata që na deshën pa zë, pa emër, pa kujtesë

Në kohë hienash jetuan prindërit e mi
me shpinë të përkulur
por me ballë që s’u përkul kurrë

Ecën nëpër hi e prush të tokës së vrarë
e toka i njohu nga hapat
jo nga plagët
Mbijetuan me gji zanash
me bukë të ndarë në katër lutje
në kreshnik legjendash u çelnikosën
kur fjala “dorëzim” s’kishte alfabet

Për të bukurën e zemrës i fituan betejat
se dashuria ishte flamur i padukshëm
që s’e dogjën dot as stuhitë

Për atdhedashurinë e mikes
u bënë peng të fjalës
roje të nderit
dëshmitarë të së vërtetës

E ti, mike
je ajo dritë që s’u fik as në errësirë
je fjala që s’u tremb nga heshtja
je plagë që flet bukur
dhe shërim që s’kërkon lavdi

Në sytë e tu e shoh popullin tim
të lodhur, por të pashuar
me zemër të çarë nga historia
por që rreh ende për dashuri

Unë të dua siç dua tokën time
pa kushte
pa përfitim
me dhimbje që bëhet këngë
dhe me besë që s’ka varr

Nëse kjo kohë është gjilpërë
ne jemi fijet që s’këputen
Nëse kjo botë është plagë
ne jemi dashuria
që refuzon të vdesë.
03 janar 2026

MALLI I BABËS

Dikur, në çdo cep të shqipes
banonin zanat
Aty rronte malli i babës
peng ia la kokën
kurrë s’e shiti
as s’e fali

Eshtrat i la shtatë pashë thellë
e mbi Çakorr ranë
si gurë betimi
vetë i dymijti
për kufi e për nder

Sot, mbas vdekjes së babës
tokën ia falën atyne
që dje me ta u vranë
për tokën tonë

Edhe deti dikur
ishte malli i babës
mijëra mila i gjatë
sot këmbët notojnë pa frikë
deti u ba pishinë olimpike
për turpin e historisë

Malli i babës dikur
ishte edhe fjala e mençur
pranë vatrës
kur tymi i Taraboshit
ngjitej si lutje burrash

Në tokën e babës
ruhej dashuria për brezat që vijnë
s’mbillej urrejtje
veç miqësi e besë

Toka e babës
ishte vetëm e babës dhe e Zotit

Por me bekimin e Evropës
e shanë
e prenë
e ndanë në copa-copa
si trup pa varr

Sot, kë ta pyes për tokën e babës?
A ka ardhë koha
që toka e babës
t’i kthehet prapë babës?

05 janar 2026 Agim Desku

FARAONI I DASHURISË

Prej faraoni zbrita në emrin tënd
hoqa kurorën që të të prek pa frikë
S’desha më piramida
as histori që më mbajnë gjallë
mjaftonte zëri yt
kur ma thërriste shpirtin
Pushteti im ishte gabim
dashuria ,shpëtim

Shërimin e botës e ke në sy
Aty ku nata pushon
ku koha harron të numërojë
I ruajta sytë e tu
si faraonët trupat e shenjtë
jo nga frika e vdekjes
por nga tepria e dashurisë
Në to jetoj
pa pasur nevojë për tjetër jetë

Ti je piramida ime e gjallë
ndërtuar me frymëmarrje
Çdo përqafim , një gur i shenjtë
çdo puthje ,një hyrje sekrete
ku askush tjetër s’ka të drejtë
Unë jam faraoni yt pa emër
i humbur me dëshirë
në trupin tënd
Dashurinë tonë s’e mumifikova me balsam
por me heshtje
E mbështolla me net pa fjalë
me pritje të buta
me dorë që s’kërkon
Kështu mbijetoi
jo si relike
por si zjarr i qetë
që nuk shuhet

Kur të mbyllen sytë e mi
mos më kërko në rërë
Unë s’kam varr
as piramidë
Jam aty ku më thërret në heshtje
aty ku më mban pa frikë
Dashuria jonë s’ka nevojë për emër
ajo thjesht është
si ti
si unë pranë teje.

6 janar 2026 Agim Desku

POEZI

Me zemër të madhe më je
më shumë se mbretëreshë të dua

Në sytë e tu mësova
si mbrohet drita nga errësira
dhe si dashuria
nuk kërkon fron
por frymë

Të nxora nga thellësia e detit
nën plagët e Titanikut të kohës
aty ku heshtja kishte emër
dhe shpresa ishte e mbytur

Aty u bëre dhimbja e vargut
e bukur, e thellë, e pashmangshme
dhe kënga ndaloi për një çast
nga frika se mos thyhej

Lasgushi e Serembe
ikën me mallin e vargut rebel
por na lanë zjarrin e fjalës
si amanet dashurie

Një natë morti lotova
jo për vdekjen
por për pyetjen që më përndoqi
kush do të jetë pronari yt
kush do të guxojë
të të marrë nën pushtetin e tij

Unë s’dua pushtet mbi ty
dua ecje krah për krah

S’dua të besoj
se kemi mbetur në vetmi
sepse dashuria na takon
edhe kur bëhet yll
dhe digjet larg

Kam për të të gjetur
edhe aty ku bren miza hekur
aty ku shpresa duket e pamundur
dhe fjala vdes pa u thënë

Mos u dorëzo për dashurinë e Ledit
mos jeto kurrë në ëndrra hienash
sepse ti s’je hije
ti je agim

Atëherë do të jesh ëndrra ime
jo ajo që ikën në mëngjes
por ajo që qëndron
edhe kur nata zgjatet

S’dua të të lë në dhembje
se po mbete
bëhesh dhembja ime e jetës

Të betohem në dashurinë e Ledit
kalorësi yt mbetëm
për jetë të jetës
jo me shpatë
por me fjalë që mbrojnë
me vargje që çlirojnë

Luftëtar i betejave të heshtura
për lirinë dhe dashurinë e vargut
do të jem streha jote
kur bota lodhet
dhe emri yt
do të jetë fjala ime e fundit
në çdo poezi.

06 janar 2026
Agim Desku

TOKA E SHQIPEVE

Është thënë nga Zoti
në tokën e shqipeve
të jetojmë si zanat
unë dhe Kastrioti
nën të njëjtin qiell guri
e nderi

Dy mijë vjet isha Adam
kur s’kishte djall
as emër për errësirën
as karpatian që të ndante frymën

Nuk kishte ferr
as Dante të më numëronte mëkatet
se isha Homeri i gurit
me mur e zemër
ndërtova kala
dhe askujt kufirin s’ia preka

Më mjaftuan trojet e mia
cep më cep
aty ku Shqipëria
është plagë dhe bekim njëherësh

Shën Valentinin e mbajta në zemër
si dashuri që s’kërkon festë
por liri

Edhe në ëndërr
e festoja atdheun
si të dashurën e vetme
që s’tradhton

Por intimen e fsheha thellë
si zjarr që nuk shihet
atë që s’e merr askush me brohoritje

Ajo rritet natën
kur heshtin flamujt
dhe fjala mbetet vetëm gjak

Atdheu më flet me zë nëne
më thërret me emrin tim të parë Agim
atë që ma dha para se të flisja
para se të dija ç’është malli

Në gurët e tij kam lënë ballin
jo për t’u falur
por për t’u mbajtur gjallë

Çdo hap mbi këtë tokë
është një përqafim i përmbajtur
një “mos ik” i pashkruar

E kam dashur Shqipërinë
si dashurinë e ndaluar
pa zhurmë
pa dëshmitarë
por me besë që s’vdes

Kur më dhemb
më dhemb si e dashur e largët
që s’e harron as në gjumë
as në mërgim
as në gëzim

Nëse bie
bie mbi emrin e saj
Nëse ringrihem
ajo më ngre nga shpirti

Se toka e shqipeve
nuk është veç hartë
është zemra ime
kur rreh pa mbrojtje.

EPOPE E MBRETËRISË SHQIPTARE

Pesëdhjetë e gjashtë yje ranë
në Prekazin heroik
Toka u bë altar
gjaku flamur
heshtja betim i përjetshëm
Sot ata janë kushtrimi ynë i pavdekësisë
zëri i tokës që flet shqip
fryma e brezave me ballin lart
zemër plot atdhe

Janë alfabeti i parë i lirisë
kënga e kreshnikut, bac Adem
varg i gdhendur në gur
emër që s’u përkul kurrë
Pasaporta e dhimbjes dhe krenarisë
vula e shenjtë e sakrificës

Prindërit tanë jetuan n’kohë hienash
me shpinë t’përkulur
por me ballë t’pamposhtun
Ecën mbi hi e prush
të tokës së vrame
e toka i njohu prej hapash
jo prej plagësh
Ata ishin alfabeti i durimit
mbretër të heshtjes
kreshnikë të zemrës

Dashuria për lirinë ishte flamuri i tyne
i padukshëm
por ma i fortë se stuhitë
Për të bukurën e zemrës
i fituen betejat
pa kambanë fitoreje
Çdo dhimbje u bë këngë
çdo vuajtje u bë flamur

Nga hiri i shtëpisë u ngrit një mbretëri
pa kurora ari
por me kurorë gjaku, nderi dhe besë
Mbretëria Jashari
Unë, bir i kësaj toke, ngre hymn
jo për fron, por për flijim
jo për jetë, por për jetën e kombit
Lavdi e përjetshme Familjes Jashari!
Lavdi Kurorës Mbretërore Shqiptare!
Lavdi Kosovës së Lirë!

MËKATET E TRËNDAFILIT

Nëse s’di të dashurosh
si hero i gjallë
të zë mëkati i Adamit
si hije e ngrohtë në palcë

S’të dua trëndafil të vyshkur
por aromë që ngjitet në frymë
deri në Kullën e Ajfelit
deri aty ku puthjet
kanë frikë nga lartësia

Dua të jetosh pranë syve të mi
me guximin për t’u parë lakuriq në shpirt
të më shpëtosh
nga koha e vrarë
që na rrethon si mjegull

Koha ime është dëshmitare
e fjalës që ia dhashë mikës
dashurisë së çmendur
pa mëkat
që s’e dogji kurrë
ferri i Dantes
sepse u ndez ngadalë
si zjarr që e njeh durimin

Dashuritë e poetit
janë histori ëndrrash
që s’i zë as pluhuri i shekujve
sepse jetojnë më gjatë
se trupat që i lindën

Në vargjet e Lasgushit
i kaloj mbrëmjet e vetmuara
si lutje të heshtura mbi lëkurë
ku fjala dridhet
para se të bëhet ndjenjë

Nëse muza më rri pranë
vargjet prekin agimin
me gishta drite
dhe trupi mësohet
të mos ketë frikë nga dëshira

E kujtoj Seremben
dashurinë e tij të dhembshme
si plagë që s’pranon shërim
por që të mëson
si të jetosh me mungesën

Valëve të detit ua mallkoj fatin
pse ia fundosën shpirtin Titanikut
kur dashuria kërkon vetëm
një prekje të lehtë
për të mos u mbytur

Por jo vargun
Ai mbijetoi
Erdhi deri në kohën time
për të më dëshmuar
se dashuria e vërtetë
nuk mbytet
vetëm ndryshon formë
dhe mbetet aromë.

08 janar 2026

MONOLOG DASHURIE
-Në ditën e Shën Valentinit!

Po flas me ty pa zë
siç flitet vetëm me atë
që banon në zemër
pa kërkuar leje

Sonte zjarret nuk ndizen jashtë
ato digjen brenda meje
aty ku puthja jote
u bë lutje
dhe më shpëtoi nga heshtja

Të desha jo si legjendë
as si ëndërr që kalon
por si fjalë e dhënë
që më prangosi shpirtin
me dashuri

Detit i fala mëkatet e mia
kur Titaniku i kujtimeve
më fundoste netëve
e prapë notoja drejt teje
pa e ditur
nga më vinin demonët
që më linin si lule
pa ujë në Saharën e vetmisë

Po, etja dhemb
ma thanë plagët e mia
kur m’u desh të digjem unë
që ti të mos digjeshe nga dielli

Nuk e mata kurrë veten
me Mujin e legjendave
fuqia ime ishte tjetërkund
të të pres
të të fal
të të dua edhe kur heshtja
më mbytej në grykë

Nëse ka Eden për mua
është ky çast
kur emrin tënd e shqiptoj ngadalë
dhe mbi tokën time
nuk vyshket asnjë lule

Le të ndizen sërish zjarret e jetës
se sonte jam vetëm unë dhe ti
në pragun e një nate
ku dashuria nuk kërkon dëshmi
veç guxim

Në stinën e luleve
ti nuk je një lule
ti je aroma
që i zgjon të gjitha

Këtë ditë të Shën Valentinit
ta fola dashurinë si varg
e mbështolla në zemrën time të gurtë
që u ça
ditën kur vrapove para diellit
dhe unë u dogja për ty

Po hesht tani
jo se mbarova së dashuri
por sepse disa dashuri
jetojnë më gjatë
kur thuhen vetëm një herë.

E SHËNUAR

Dhjetori mban shenja të fshehta në gur
kohë kur orakujt heshtin nën stuhi.
Dielli, biri i zjarrit të përjetshëm
zbret për një çast
e thyen kurorën e acarit
Unë qëndroj në prag
jo si njeri
por si flijim
dhe vargjet e mia bëhen altar
Trupi im ngrihet në lutje
drejtuar zotave të dritës
Rrezet bien mbi Via Egnatia
rrugë e perëndive dhe e mërgimtarëve
ku këmbët e fatit kanë lënë plagë
Aty shkrin dimri
aty ndizet festa e diellit
si në kohët kur njerëzit i këndonin Heliosit
Në gjumin e orakullit
njeriu kthehet në ëndërr
ëndrra merr frymë njerëzore
Lumturia s’njihet me pranga
kur lutja ka lindur
nga agimi i një zemre të copëtuar
Një jetë jetova brenda një dite
si heronjtë para betejës së fundit
Pulëbardhat, lajmëtare të detit të shenjtë
më shoqëruan në qiellin blu
ku shpirtrat udhëtojnë pa kthim
Via Egnatia e di sekretin tonë
aty na u lidh shpirti binjak
me zinxhirë të padukshëm
Zemrat u thërrmuan
në pluhur yjor
si pas ndëshkimit të perëndive xheloze
Diellit ia dhashë betimin
Hënës ia lashë uratën
Një nga zotat e Olimpit
zbriti e u bë Hyji im
ndërsa hyjnesha e fjalës
më premtoi kthim
Ajo vjen
si Persefona nga nëntoka
kur pranvera fiton mbi errësirën
O Hyj, o Hyjneshë e vargut
mëshironi këtë shpirt njerëzor
që ëndrrat t’i bëhen fat
dhe dashuria ,ligj i pavdekshëm.

27 dhjetor 2025 Agim Desku

Dhe nëse degët trokasin në xham- Poezi nga MIHAI EMINESCU- Përktheu PETRO MEJDI

Dhe nëse degët trokasin në xham

Kur plepat po hepohen,

Është se në mendje ty të kam

Dhe ngadalë afrohesh.

 

Dhe nëse yjet ndrisin në liqen

Me dritën e praruar,

Është që mallin tim të mpak

Mendimin për të kthjelluar.

 

Dhe nëse retë e dendura shkrijnë

Që të duket drita e hënës,

Është se mendjen time çoj

Tek ti unë githmonë.


>
Send this to a friend