Dje, ndërsa një president fliste, më erdhi në mendje një episod i fëmijërisë. Duhet të kem qenë diku te dhjetë vjeç.
Ime më na ushqente dhe na vishte bukur me ato pak rroba që kishim, duke u kujdesur që të ishim sa më të pastër. Vite më vonë, na ka thënë se nuk qe thjesht përpjekje prindërore për të na siguruar ushqimin më të mirë të mundshëm, për të na mbajtur të pastër dhe për të na paraqitur bukur. Ishte dëshira që fëmijët e saj të prekeshin sa më pak nga e keqja që i rrethonte. Një lloj barriere higjienike.
Ashtu të veshur e të mbathur, na nxjerr në oborr, ku na priste babi me një biçikletë MIFA ose “kineze”. Duhet të ketë qenë ajo kinezja, sepse të jepte mundësinë që, përveç zgarës, të mbante edhe një person tjetër mbi hekur.
Im atë, si të gjithë të internuarit e tjerë, punonte në punë shumë të rënda gjatë ditës. Punonte edhe natën, në punë të vështira që tani duken absurde, si “mbledhje kashte me slitë” ose “shpërndarje plehu me cfurk mbi zetor”.
Biçikleta ishte gati. Në verë, në vapë, diku fëmijët e tij duhej të laheshin. Pothuajse si një kufi që e ndante fshatin në mes, ishte një kanal. E quanim Kanali i Madh. Në të laheshin të gjithë fëmijët: disa për qejf, shumë të tjerë për higjienë. Uji mungonte dhe ai i pijshmi vinte me autobot.
Presidenti e mbyll fjalimin me fjalët: “Dinjitet, kujtesë dhe liri.”
Unë, i sapohipur mbi hekurin e biçikletës; motra e madhe te zgara dhe e vogla aty ku shpesh aktorët e cirkut bëjnë pikërisht numrat e tyre: mbi timon. Regjisorja na përshëndeste me dorë, duke vëzhguar gjithçka me kujdes. Aktori protagonist nisej me biçikletën e tij. Titulli i filmit: “Katër mbi dy rrota kineze”.
Pedalonte im atë, me ne të tre, në ato ditë të nxehta vere, të nxehta si sot. Ishte një nga fragmentet më të bukura të jetës sonë. Udhëtimi nuk zgjaste më shumë se pesë minuta. Aq ishte largësia nga shtëpia deri te Kanali i Madh.
Tek ura e parë, ajo kryesorja, ndaleshim. Rruga që lidhte fshatin me pjesën tjetër kalonte nëpër atë urë. Ende pa i hequr kanatieret dhe shpesh edhe me pantallonat e shkurtra veshur, hidheshim në ujë.
Im atë vinte këmbëzën mbajtëse të biçikletës dhe hidhej edhe ai. E kujtoj me flokët pothuajse të rënë, megjithëse, për punë ditësh, duhet të kishte mbushur vetëm 36 vjeç. Notonte dhe na mësonte të notonim. Ishin momente të bukura. Luaja me motrat dhe me ndonjë shok. Kujtoj turbullt tim atë në bregun e kanalit, ku, pasi kishte notuar, ulej dhe na shihte.
Presidenti i ka përfunduar përshëndetjet e tij. Përpara meje janë ulur prindërit e mi, ndërsa unë vazhdoj të mendoj për atë skenë: im atë, i ulur në bregun tjetër të kanalit. Ndoshta pa e menduar; ndoshta në një vend të zgjedhur me qëllim. Ndërsa me dinjitet dhe dashuri rriste fëmijët e tij, ai burrë, i sjellë në internim vetëm tre vjeç, e sfidonte diktaturën me të vetmin gjest të mundshëm. Ana tjetër e kanalit nuk mund të kalohej pa lejen e operativit të Sigurimit.
Qëndronte aty me dinjitetin e prindit, të kujdestarit dhe edukatorit të fëmijëve, të mbrojtësit të tyre, edhe pse nuk kishte fjetur gjithë natën. Në anën tjetër të kanalit luftonte të ishte i lirë.
Dita mbaronte dhe ne të katër ktheheshim në shtëpi. Pasi kishte gatuar, gjenim mamin duke lexuar. E lirë për aq kohë sa arrinte të gjente kohë për të lexuar.
Ka kohë që Presidenti është ulur, ndërsa fjalë si “të persekutuar”, “diktaturë” dhe “kujtesë” më tingëllojnë zbehtë. Kam dy prindër që, si qindra shokë e shoqe të tyre, na ruanin nga e keqja, duke luftuar me të dhe duke u bërë mburojë ndaj saj për ne. Duke lëshuar copa nga rinia e tyre. Copa shpirti e trupi, por duke ruajtur me gjithë forcën e tyre ashtin.
Në sytë e mi, ata nuk qenë kurrë “ish-të persekutuar”. Me aq sa mundën, ishin vërtet luftëtarë të lirisë. Patën fatin të mbërrinin në ditën e fitores ndaj së keqes. Ata fituan. Ata janë heronj. Ata ishin dhe janë të lirë.
Nata binte dhe ne, të lodhur, bashkë me të. Babit i fillonte turni i natës. Afrohej mbi kokat tona dhe kurrë, as sot, nuk harronte të na bënte shenjën e kryqit dhe të na kujtonte të faleshim.
*Sokol Mirakaj e ka nisur internimin në moshën 3 vjeçare, ai u martua me Valbona Çokun, vajzën e vetme të Mentor Çokut, i arratisur politik dhe shpallur armik i partisë. Tre fëmijët e tyre, Leon Mirakaj dhe dy vajzat kanë lindur në internim
Gjatë diktaturës komuniste Familja Mirakaj pësoi: VRASJE, HETUESI, BURGJE DHE INTERNIME 950 VJET…