VOAL

VOAL

Kalendari historik: 29 mars

March 29, 2017

Komentet

Ndalimi i varrimit me flamurin kombëtar trondit shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Llacë të Tetovës, në malësinë e Sharrit. Një banor i këtij fshati, pjesëtar i familjes Ismaili, e njohur për veprimtarinë e saj patriotike, kërkoi që ta përcillte nënën e ndjerë me arkivolin të mbuluar nga flamuri kombëtar shqiptar.

Imami i xhamisë së Llacës e kundërshtoi këtë kërkesë, duke shkaktuar jo vetëm hidhërimin e familjarëve, por edhe reagime të shumta mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Sipas djalit të së ndjerës, kundërshtimin nuk e shprehu vetëm imami i fshatit. Disa hoxhallarë të Myftinisë së Tetovës i thanë troç familjes se nuk do ta kryenin ceremoninë fetare nëse ajo nuk e hiqte flamurin nga arkivoli.

Djali i së ndjerës u tregoi rrugën dhe familja e zhvilloi ceremoninë mortore duke respektuar traditën shqiptare.

Ngjarja, të cilën disa u përpoqën ta paraqisnin si një zhurmë të parëndësishme, shkaktoi reagime në të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Intelektualë dhe gazetarë të njohur dënuan vendimin e klerikëve.

“Më të shëmtuar dhe të dëmshëm se ata që ndalojnë përdorimin e flamurit kombëtar, janë relativizuesit e këtij veprimi. Turp!”, shkroi gazetari Nazim Rashidi, duke iu drejtuar edhe atyre që u përpoqën ta zvogëlonin rëndësinë e ngjarjes.

Pas reagimeve, xhamia e Llacës tentoi ta zbuste situatën duke kërkuar fajtorë të tjerë, por reagimi i saj vetëm sa e rëndoi më shumë çështjen.

“Do t’ju sjellim video-prononcim hap pas hapi për t’i demaskuar qafirët dhe për të nxjerrë në pah të vërtetën”, thuhet në reagimin e xhamisë.

Prej vitesh, opinioni shqiptar përfshihet në polemika mbi ritet e ceremonive mortore. Ky debat shfaqet më shpesh në trojet shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë, ku ndjenja kombëtare u kthye ndër shekuj në një mjet për ruajtjen e identitetit.

Vendosja e flamurit kombëtar mbi arkivol nuk përfaqëson një rit fetar, por një shenjë identitare. Nëpërmjet tij, pjesëmarrësit në ceremoni nderojnë përkatësinë kombëtare të njeriut që ndahet nga jeta.

Kjo traditë ka krijuar përplasje me përfaqësues të islamit politik, të cilët e kundërshtojnë përdorimin e simboleve kombëtare në ceremonitë fetare dhe kërkojnë që arkivoli të mbulohet me një pëlhurë të gjelbër, ku shkruhen në arabisht vargje nga Kurani.

Edhe ky veprim përmban një simbolikë të qartë. Varrimi në doktrinën bazë islame zhvillohet si një rit i thjeshtë. Zëvendësimi i flamurit kombëtar me një mbulesë që paraqitet si simbol islamik e zhvendos ceremoninë nga besimi drejt një demonstrimi identitar dhe politik.

Për të kuptuar mjedisin ideologjik që ushqen këtë qasje, mjafton të shikosh faqen e xhamisë së Llacës në Facebook. Aty shfaqen vazhdimisht elemente të një narrative osmane dhe turke. Faqja reklamon, ndër të tjera, një kompani ndërtimi me emrin “Uthman”, ndërsa publikon edhe një video të shkëputur nga një serial turk për Sulltan Mehmetin.

Screenshot

Në të njëjtën faqe gjendet edhe një njoftim për kryerjen e kurbanit në Afrikë, sipas një pakete me çmim të përcaktuar.

Screenshot

Kjo rrymë e islamit politik ushqehet nga narracioni që promovon Ankaraja, e cila kërkon ta forcojë ndikimin neootoman në hapësirën shqiptare. Reagimi i gjerë ndaj ngjarjes së Llacës tregon se kjo përpjekje po ndesh kundërshtim edhe në Maqedoninë e Veriut, një nga zonat ku Turqia ka investuar prej vitesh ndikim politik, kulturor dhe fetar.

Në të njëjtën kohë, Izraeli, rivali i drejtpërdrejtë rajonal i Turqisë, po forcon marrëdhëniet me shtetet e Ballkanit. Pas afrimit me Shqipërinë, Slloveninë, Kroacinë dhe Serbinë, Izraeli po zgjeron bashkëpunimin edhe me Maqedoninë e Veriut.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, vizitoi Izraelin, ku zhvilloi takime me homologun e tij dhe diskutoi marrëveshje në fushat e sigurisë, teknologjisë, arsimit dhe bujqësisë.

Gazeta izraelite “The Jerusalem Post” shkroi se Maqedonia e Veriut e ka kthyer forcimin e marrëdhënieve me Izraelin në një përparësi të politikës së saj të jashtme dhe kërkon ta zgjerojë bashkëpunimin në fusha që shkojnë nga mbrojtja dhe investimet te turizmi dhe administrimi i ujërave.

Mucunski foli për “The Jerusalem Post” në Jerusalem, pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, gjatë një vizite të shkurtër të përqendruar te zgjerimi i marrëdhënieve dypalëshe.

“Ne kemi pasur një marrëdhënie shumë të fortë me Izraelin, ndërsa unë dhe Gideon kemi ndërtuar gjithashtu një raport të tillë gjatë viteve të fundit”, tha Mucunski. “Mendoj se kjo vizitë na jep mundësinë ta çojmë marrëdhënien dypalëshe në një fazë tjetër, duke kaluar nga marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi sot te zhvillimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.”

Mucunski deklaroi se të dyja palët diskutuan edhe bashkëpunimin ndërmjet industrive të mbrojtjes, shtimin e investimeve dhe rivendosjen e fluturimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Izraelit dhe Maqedonisë së Veriut.

“Maqedonia e Veriut e ka dëshmuar miqësinë e saj duke iu kundërvënë këtyre përpjekjeve në arenën ndërkombëtare”, tha Sa’ar. “Ne e vlerësojmë qëndrimin e saj në votime dhe mbështetjen për Izraelin. Izraeli i vlerëson miqtë që i qëndrojnë pranë në kohë të vështira.”/Pamfleti

“Do të minonte shtetin e diktaturës së proletariatit”, akuzat dhe dy dënimet ndaj Shpëtim Stërmasit! Arrestimi më 1976, dosja e Sigurimit

Më 24 gusht 2026, në Tiranë, u nda nga jeta Shpëtim Ramazan Stërmasi, ish-i burgosur politik dhe një prej figurave të njohura të qëndresës antikomuniste në kryeqytet.

Ai u largua nga kjo jetë duke lënë pas një histori të dhimbshme, por edhe një dëshmi të fortë të rezistencës njerëzore përballë një sistemi që për vite me radhë burgosi, përndoqi dhe dënoi njerëz për bindjet e tyre dhe për historinë e familjeve të tyre. Stërmasi i njohur nga bashkëvuajtësit me nofkën “Shiku”, vinte nga një familje e njohur tiranase, me traditë patriotike dhe intelektuale.

Babai i tij Ramazan Stërmasi, inxhinier elektrik që kishte kontribuar në ndërtimin e Hidrocentralit të Lanabregasit, u dënua politikisht nga regjimi komunist. Më pas, persekutimi preku edhe dy djemtë e tij, Shpëtimin dhe Nezirin, të cilët vuajtën dënime në burgjet dhe kampet e regjimit, mes tyre Spaçi dhe Burreli. “Kush ka kërkuar falje? Askush… të bëhet muze Spaçi dhe të qëndrojë ashtu siç është. Shumë fëmijë shkojnë atje siç shkohet në varreza, për përkujtim sepse kanë te afërm të vdekur dhe qe nuk kanë as varre. Vdisnin aty dhe i varrosnin jashtë burgut, pa e ditur askush se ku…”. Kështu dëshmonte Shpëtim Stërmasi, i njohur si Shiku, ish-i dënuar politik që kaloi 23 vjet në burgjet e diktaturës komuniste. Dëshmia u dha para pak vitesh, gjatë procesit të mbledhjes së dëshmive nga AIDSSH-ja, në kuadër të 50- vjetorit të Revoltës së Spaçit, në vitin 2023. Sot ai nuk eshte më ne jete. Në dëshminë e dhënë për AIDSSH-në, ai rrëfeu arrestimin, procesin e padrejtë, punën e detyruar në galeritë e minierës, urinë, të ftohtin, dhunën dhe humbjen e jetëve njerëzore në kamp.

DY ARRESTIMET

Sipas të dhënave të Arkivës Online të Viktimave të Komunizmit, Stërmasi lindi në Tiranë më 12 mars 1949 dhe u arrestua për herë të parë më 25 shtator 1976, në moshën 27-vjeçare. Në total, ai vuajti 14 vjet, 3 muaj e 16 ditë heqje lirie, nga viti 1976 deri në vitin 1991. Historia e tij nuk mund të ndahet nga ajo e familjes Stërmasi. Babai i tij, Ramazan Stërmasi, ishte një specialist i inxhinierisë elektrike dhe kishte dhënë kontribut në ndërtimin e Hidrocentralit të Lanabregasit, por u dënua politikisht nga regjimi komunist. Më pas, persekutimi do të prekte edhe djemtë e tij, Shpëtimin dhe Nezirin. Organizatat e ish-të përndjekurve politikë e kanë përshkruar familjen Stërmasi si një familje patriotike, atdhetare, intelektuale dhe qëndrestare antikomuniste të Tiranës. Në vitin 1976, Stërmasi u arrestua dhe u përfshi në një proces gjyqësor me disa persona të tjerë, mes tyre Fatos Kërluku, Petrit Alushi, Arian Gjergji dhe Bektash Satko.

Akuza ishte ajo e “agjitacionit dhe propagandës”, një prej akuzave më të përdorura nga regjimi komunist ndaj personave që konsideroheshin kundërshtarë politikë. Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr. 51, datë 8 shkurt 1977, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 9 vjet heqje lirie. Vendimi u la në fuqi nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë më 28 shkurt 1977. Përtej gjuhës së ftohtë të dokumenteve gjyqësore, pas këtyre vendimeve qëndronte jeta e një 27- vjeçari që u shkëput nga familja dhe shoqëria dhe u fut në sistemin e burgjeve politike të diktaturës. Në atë kohë, një dënim i tillë nuk nënkuptonte vetëm humbjen e lirisë. Ai sillte pasoja për familjen, punën, marrëdhëniet shoqërore dhe të ardhmen e të dënuarit.

RIDËNIMI NË SPAÇ

Historia e Stërmasit nuk përfundoi me dënimin e parë. Në korrik 1980, ndërsa vuante dënimin në Repartin nr. 303 në Spaç, ai u arrestua sërish dhe u akuzua përsëri për “agjitacion e propagandë”. Në këtë proces u përfshinë edhe disa të dënuar të tjerë politikë. Sipas vendimit gjyqësor, regjimi i akuzonte ata se, edhe gjatë vuajtjes së dënimit, kishin vijuar veprimtarinë që autoritetet e konsideronin “armiqësore” ndaj pushtetit. Vetë formulimet e vendimit të vitit 1980 janë një dëshmi e gjuhës politike dhe represive të sistemit të kohës.

Në rastin e Stërmasit, dokumenti theksonte se, megjithëse ishte dënuar më parë për të njëjtën vepër penale, ai “nuk e ka ndërprerë veprimtarinë e tij armiqësore”. Procesi u zhvillua në vetë Repartin nr. 303, Spaç, dhe në të dolën 22 dëshmitarë. Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, me vendimin nr. 39, datë 11 shtator 1980, e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Në bashkim me dënimin e mëparshëm, masa totale u përcaktua në 14 vjet burgim. Kështu, burgu u bë një pjesë e gjatë e jetës së Shpëtim Stërmasit. Ai kishte hyrë në sistemin represiv në moshën 27-vjeçare dhe do të dilte prej tij vetëm në fillim të vitit 1991, kur diktatura komuniste ishte në ditët e fundit të saj.

Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, e drejtuar nga Mihal Kazanxhi, me pjesëmarrjen e prokurorit Vaskë Dimoshi, me vendimin nr.39, datë 11.9.1980, e deklaroi dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Në bashkim të dënimeve, u dënua me 14 vjet heqje lirie. U lirua më 10.1.1991 nga Reparti nr.305 Përparim, me dekretin nr.7444, datë 5.1.1991 të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

PASOJAT MBI FAMILJEN

Historia e Shpëtim Stërmasit ka edhe një dimension familjar të thellë. Pasojat e burgimit nuk u kufizuan vetëm te vitet që ai kaloi pas hekurave. Ato prekën familjen, fëmijët dhe brezat që erdhën më pas. Në një dëshmi të publikuar pas vdekjes së tij, djali i tij, trajneri i atletikës Taulant Stërmasi, ka rrëfyer përvojën e rritjes pa praninë e babait dhe faktin se ai e njohu babanë në një moshë të vogël, pas viteve të gjata të burgimit. Kjo është një nga plagët më të padukshme të diktaturës: koha e humbur mes prindërve dhe fëmijëve, fëmijëria e jetuar pa një baba apo nënë, familjet e ndara dhe vitet që nuk mund të kthehen më. Në këtë kuptim, historia e Stërmasit nuk është vetëm historia e një të burgosuri politik. Është edhe historia e një familjeje që u përball me pasojat e një sistemi që ndërhynte thellë në jetën private të individit.

LIRIA NË DITËT E FUNDIT TË REGJIMIT

Shpëtim Stërmasi u lirua më 10 janar 1991, nga Reparti nr. 305 Përparim, pas dekretit nr. 7444, datë 5 janar 1991 të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Liria erdhi në një moment historik për Shqipërinë. Regjimi komunist po hynte në fazën e fundit të ekzistencës së tij dhe vendi po përgatitej për ndryshime të mëdha politike e shoqërore. Pas më shumë se 14 vitesh burg, Stërmasi doli në një Shqipëri që po ndryshonte me shpejtësi. Për shumë ish-të burgosur politikë, kthimi në jetën e lirë ishte një tjetër fillim, por edhe një përballje me pasojat e viteve të humbura.

Stërmasi zgjodhi të mos mbetej vetëm te kujtesa e vuajtjes. Pas vitit 1992, ai shërbeu në strukturat e Policisë, duke mbajtur detyra të ndryshme, përfshirë atë të shefit të komisariatit në Elbasan, shërbimin në Mat dhe angazhimin me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Stërmasi nuk ishte thjesht një emër në listat e ish-të burgosurve politikë. Ai ishte pjesë e një brezi shqiptarësh që përjetuan drejtpërdrejt burgun, përndjekjen dhe pasojat e diktaturës. Në vitet e demokracisë, ai u angazhua edhe në strukturat e përfaqësimit të ish-të përndjekurve politikë. Sipas raportimeve të bëra pas ndarjes së tij nga jeta, ai kishte qenë anëtar i Presidencës së Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe kryetar i Unionit për Qarkun e Tiranës. Kjo e bëri atë jo vetëm dëshmitar, por edhe një zë të kujtesës së ish-të burgosurve politikë. Përmes këtij angazhimi, historia e tij personale u bashkua me përpjekjen më të gjerë për të mos lejuar që vuajtjet e të përndjekurve të harroheshin. Shpetim Stermasi kaloi nga i dënuar politik në një funksionar të strukturave të Policisë dhe më pas në një prej zërave të komunitetit të ish-të përndjekurve.

Ndarja nga jeta e Shpëtim Stërmasit është një tjetër kujtesë se brezi i njerëzve që e përjetuan diktaturën po pakësohet çdo vit. Me largimin e tyre, rrezikohet të humbasë edhe një pjesë e dëshmive të drejtpërdrejta mbi atë periudhë. Shpëtim Stërmasi e përballoi këtë histori me vite burg, me humbje dhe me një jetë të tërë të lidhur me kujtesën e përndjekjes. Por pas daljes nga burgu ai zgjodhi të punonte, të shërbente dhe të angazhohej për komunitetin e ish-të burgosurve politikë. Më 24 gusht 2026, në Tiranë, u mbyll jeta e tij. Por historia e Shpëtim Stërmasit mbetet pjesë e historisë së një Shqipërie që duhet ta njohë të shkuarën e saj jo për të jetuar me të, por për të kuptuar çfarë do të thotë liria, dinjiteti dhe e drejta për të mos u dënuar për bindjet dhe identitetin e familjes. Ai ishte një nga ata njerëz që e jetuan diktaturën në lëkurë dhe më pas, në liri, zgjodhën të mos heshtnin për të. Kujtimi i tij mbetet i lidhur me kujtesën e të burgosurve politikë shqiptarë dhe me detyrimin për t’ua përcjellë brezave historitë e tyre.

/Gazeta Panorama 

“Kralevica nr.2”, si u zbulua shfrytëzimi ilegal i nëntokës shqiptare nga jugosllavët, misteri i minierës në Tropojë! Grabitja e kromit dhe operacioni “Nëntoka”

KASTRIOT KOTONI

Janë të shumtë autorët shqiptar të cilët kanë shkruajtur për patriotizmin dhe luftën dhëmb për dhëmb me shërbimet e huaja e sidomos ato jugosllave në drejtim të Shqipërisë. Por Operacioni ‘Top Sekret’ “Nëntoka”, është në mos një humbje e madhe ekonomike, ushtarake, një gjumë i thellë e ulje vigjilencës së organëeve të Sigurimit shqiptar. Kolonel, Dr. Eqerem Shakaj, përgjegjës e analizues i palës shqiptare për incidentet kufitare, inxhinier e petagog i njohur, pas dyshimeve e verifikimeve 2-3 vjeçare, bashkë me kolegë e drejtuesit më të lartë të institucionëve shtëtërore, arrin të bjerë në gjurmë të këtij fakti. Pas hezitimeve e mohimeve të palës jugosllave, falë fakteve, detyrohen të dorëzohen, të paranojnë verifikimin në vend, të pranojnë vjedhjen. Janë vënë në dijeni dhe udhëheqësit e kohës, Enver Hoxha dhe Josif. B. Tito.

Autori i librit ‘Operacioni Top sekret “NËNTOKA”, zoti Kujtim Boriçi në faqet e para të librit rrëfen se si u takua me Eqerem Shakaj, skënderbegas i maturës së parë të kësaj shkolle, një ndër 24 pjestarët e asaj mature. Takimet vazhduan e më pas kur Eqeremi i ekspozoj një dokumentacion me siglën sekret të cilat ai i kishte ruajtur prej dekadash. Siç thekson autori i librit nga të gjitha verifikimet dhe ballafaqimet e dokumenteve të komsioneve dypalëshe, përfaqësuesit e palës jugosllave, kishin në përbërje më shumë shqiptarë (nga pesë, tre ishin shqiptarë). Prezantoheshin si specialist, në fakt ata ishin kolonelë apo ushtarakë të UDB-së së Jugosllavisë dhe, ishin ndër mbrojtësit më të flaktë dhe kundërshtarët më të rreptë përballë pjesëtarëve të komisionit shtetëror të Shqipërisë..!

Zbuloni dosjen “Kralevica nr.2”- incidentin që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë në kufirin ShqipëriJugosllavi thotë kolonel Eqerem Shakaj. Vranishtasi Eqerem Shakaj ridhte nga një familje patriote me kontribute në çështjen kombëtare dhe pasi mbaroi shkollën e fillore në Vranisht në vitin 1954 përfundon me medalje ari shkollën ushtarake “Skënderbej”. Mbaron shkollën për oficer topograf më 1956, në Universitetin Shtetëror të Tiranës për inxhinier topo-gjeodezi dhe më vonë mbrojti temën për doktor i shkencash në fushën e topografisë. Në vitin 1960 punon si oficer në Ministrinë e Mbrojtjes si specialist topograf për përgatitjen dhe përpilimin e hartës në 1;25000, që për kohën ishte një arritje e madhe. Në vitin 1961 u transferua në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me detyra fuksionale për dhënien e leksioneve nga lënda e topografisë ushtarake kuadrove të Ministrisë së Brendshme dhe studentëve të shkollës së lartë të saj. Puna kryesore e tij ishte marrja pjesë në punimet topo-gjeodezike, që kryheshin në kufijtë e Shqipërisë. Çdo pikë e kufirit shtetëror llogaritet me saktësi deri në milimetra (mm) në të tre dimensioned, lartësi, thellësi dhe largësi (x,y, z) kordinatat.

SHFRYTËZIMI I KROMIT

Në vitin 1968, Eqeremi ka punuar përgjatë vijës kufitare nga derdhja e lumit Buna deri në Liqenin e Prespës për të zgjidhur detyrat e vëna nga Komisioni i Përbashkët Shqipëri Jugosllavi i Mirëmbajtjes së Piramidave. Në punim e sipër, i lindi dhe një dyshim për incidentin e rëndë, shfrytëzimin e nëntokës ilegalisht nga pala jugosllave. Siç tregon Eqerm Shakaj se “mbi ç’bazë kishte lindur ky dyshim?”. Komisioni i Përbashkët Shqiptaro-Jugosllav për një riparim të piramidave kufitare po punonte rreth dy kilometra larg në perëndim të postës së kufirit “2 Prushi” dhe në të majtë të rrugës Kame, Gjakovë, për vendosjen e një piramide të re ndërmjetëse kufitare. Nga Tropoja deri në malin e Pashtrikut është zonë kromëmbajtëse; e njohur dhe e shfrytëzuar që në kohën e Turqisë, që vazhdoi me italianët dhe gjermanët. Të dy shtetet në të dy anët e kufirit kërkonin dhe të shfrytëzonin kromin.

Në Gjakovë është ngritur një kombinat për përpunimin e mineralit të kromit. Më lindi mendimi: “ka shumë mundësi që jugosllavët, pasi të mbaronin shfrytëzimin e kromit në tokën e tyre, meqë trupat e kromit vazhdonin të shtriheshin edhe brenda tokës shqiptare, mund të vazhdonin shfrytëzimin më tej. M’u përforcua dëshira që të punoja për t’i kapur me “presh në duar” jugosllavët, që kishin cenuar integritetin territorial të Shqipërisë dhe grabitjen e pasurive tona minerale, që përbënte precedent dhe provokacion shumë të madh. Po arsyetoja më tej: ky vend ka zot, jo vetëm për ta ruajtur dhe mbrojtur kufirin tokësor dhe ajror me armë në dorë, por edhe për ta mbrojtur edhe, në thellësi të tokës jo me armë, por edhe me “laps në dorë”. Kështu, si atdhetar, oficer karriere, si specialist, u vura të verifikoj dyshimin…E dija që do të ishte e vështirë e me plot rreziqe. Fillova të interesohem e të punoj për këtë problem për rreth pesë vjet rresht (1968-1972), duke filluar në postën kufitare të Qafë-Prushit”. Eqeremi kishte parë hyrjen e një miniere në territorin Jugosllav rreth 300 m larg nga kufiri shtetëror. Nga Ministria e Brendshme kishte marrë përgjigjen se nuk kishte shkelje kufiri nga ana e jugosllavëve. Ali Hamzai i emëruar si përfaqësues i Ministrisë së Brendshme në të gjithë komisionet e kufirit me Jugosllavinë në fillim kishte nguruar që të përkrahte Eqermin, por më pas u bind që ai të merrej posaçërisht direkt me këtë problem.

Kuadrot e tjerë të Ministrisë që i lidhte puna me kufirin as e pengonin dhe as e ndihmonin Eqeremin. Ai qysh në fillim informoi dhe kërkoi ndihmën e shokëve të tij të hershëm të shkollës dhe te punës, inxhinierëve topo-gjeodezistë R.Hapo, Th.Jorganxhi, topografëve B.Mehmeti, Ç.Demaj, inxhinierëve gjeolog Z.Rjepa, S. Qorrlaze, A.Duro, T.Rambi, inxhinierëve të ndërtimit, S.Stefani, M.Cirko, K.Çollaku, Bilal Cani. Në vitin 1969 Eqeremi kërkoi të takoj inxhinierin gjeolog Skënder Deden, i cili punonte si drejtues sektori në Institutin e Kërkimeve Minerale, kandidat i shkencave (më vonë doktor- profesor dhe petagog. Skënderi kishte qenë partizan, mbas lufte studio në B.S në një institut gjeologjie. Skënderi ishte marrë vetë me këtë problem, por nuk e kishin mbështetur në Ministinë e Industrisë Minerare. Ishte shumë e vështirë të organizohej puna sidomos me specialistët e profesioneve të ndryshme. Faza e parë ishte më e vështira se përcaktonte zgjidhjen e plotë të problemit, Faza e dytë përcaktonte mjetet topogjeodezike dhe ato markshendrike, që përcaktuan përmasat e incidentit si dhe llogaritjen e vlerës ekonomike të kromit të grabitur. Faza e tretë prej datës 21.V. 1973 mbledhje e komisionit të përbashkët Shqipëri-Jugosllavi të incidenteve me Beogradin që shënoi mbylljen e këtij incidenti. Ministritë që ishin në lidhje direkte me zgjidhjen e problemit ngurronin, hezitonin ta ndihmonin.

Eqeremi rrëfen më tej se nuk kishte lënë njeri pa pyetur pothuajse të gjithë kuadrot që kishin punuar në kufi pas viteve 1948, sidomos në postat e Qaf-Prushit, Mehollë e Epërme, kishte shkuar në minierën e Alarupit në Pogradec që ishte në afërsi me kufirin, mësova për turnet dhe sasinë e qymyrit, dimensionet e galerive etj…Shkova në Fier dhe bisedova me drejtorin e Gjeofizikës Novruz Kodhelin. Zenel Hamitin zëvendësministrin e Ministrisë së Industrisë së Minerare e takoi dhe i kërkoi aparatet sizmologjike, makineritë për të bërë matjet në Tropojë. Vështirësitë që i dilnin ishin të panumërta, por Eqeremi nuk tërhiqej. Së bashku me Skënderin ata kishin arritur në përfundimin se zona ishte e pasur me mineralin e kromit e cila zakonisht shfaqej në lartësitë 200-400 metra mbi nivelin e detit, dhe këtë gjë edhe jugosllavët e dinin mirë dhe ishte lehtësisht e shfrytëzueshme dhe me leverdi për të fituar shumë. U fotografua vija e kufirit për të llogaritur indirekt gjatësinë e punimeve minerale. Për ta bërë më të qartë dhe më konkrete u ndërtua një maket prej allçie në shkallën 1,2500.

U përdor dhe një hartë 1,50000 që u ble në një librari në Beograd. U përpoqëm që të ishim sa më pak të ekspozuar e të ruanim sekretin se ndryshe po ta merrnin vesh jugosllavët e do të mbyllnin minierën. Kishim abstraguar me Skënderin, bënin llogari që në radhë të parë nuk do të zbuloheshin. Variantin tjetër po të kapeshin jugosllavët do të pranonin gabimin dhe do të ofronin një vlerë monetare, ndërkohë që kromi i nxjerrë ishte hedhur në treg për të realizuar fitimin. Po shkonim kështu drejt një dyshimi serioz, e duhej vënë në informim udhëheqja e shtetit për veprime të mëtejshme, Xhule Çiraku, Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu…”, – rrëfen koloneli.

DORËZIMI I JUGOSLLAVËVE

Me iniciativën e Eqeremit organizohet takimi me Kadri Hazbiun më 19.1.1972 ora 11.00. “Skënderi përforconte idenë se jugosllavët kishin hyrë brenda territorit tonë rreth 60%. Kadriu na përgëzoi për punën e mirë që kishim bërë. Dhe thirrit Koço Thodhosin dhe Nesti Nasen. Kur dolëm nga mbledhja me Skënderin dhe unë kujton Eqeremi, ishim të gëzuar dhe gati fluturuam nga shkallët. Problemi hyri në rrugën ëe zgjidhjes. Letra jonë iu dërgua jugosllavëve, më 12.IX.1972 me postën e Qafë Prushit. Më datën 3.XI.1972, Kryetari i Komisionit të Incidenteve Skënder Alikaj, inxhinieri gjeolog Skënder Dede dhe unë, po në Qafë Prush morëm letrën e jugosllavëve, që pranonin të kishin hyrë në territorin tonë.

Ky ishte gëzim shumë i madh.Ii detyruam jugosllavët të dorëzoheshin. Mbledhjet e komisionit u zhvilluan në doganën e tyre: një ndërtesë komode, me kushte pune shumë të mira, që ishte edhe në afërsi të minierës. Matjet në terren u kryhen në një kohë shumë të keqe: dëborë, shi, e sidomos në një rë të fortë dhe shumë të ftohtë, ndërsa relieve ishte relativisht i vështirë. Filoi faza e dytë e matjeve topo-gjeozedike, ajo e galerive të hapura. Kërkuam të na jepeshin këto matje+plani. Ata përsëri refuzuan. Në përfundim të matjeve të galerive dolën këto rezultate: Miniera shtrihej brenda territorit shqiptar me një gjatësi të vijës së kufirit 111 metra; më një largësi prej vijës së kufirit e në brendësi prej 125.25 metra, në horizontin 747.0 (kuotë) si dhe me një thellësi prej 88 metra (planvertikal i hequr mbi vijën e kufirit), nga kuota 8150-727.0. U llogarit sipërfaqja e minierës sipër, që arriti më 13902 metrakatrorë, ndërsa volumi në 125.25x88x111=1223442 metra kub.

Kur po përpilohej dokumenti mbi matjet dhe llogaritjet topogjeodezike që do t’i përcillej Komisionit të Përbashkët Shqiptaro-Jugosllav për Incidentet, papritur doli një problem shumë i rëndësishëm për të cilën nuk kishim të njëjtin mendim. Kur po matnim në planin e përbashkët me shkallë 1.500 largësinë (gjatësinë me metër) nga vija e kufirit shtetëror për drejtim brenda territorit shqiptar, që ishte 125.25 metra jo vetëm i nxjerrë nga plani, por qe edhe e shkelur bashkërisht me këmbë nga specialistët e të dy palëve, Burhani me gjeologun jugosllav Gruiç, na nxorrën një rezultat tjetër të kësaj largësie duke përdorur një truk teknik, një absurditet të vërtetë që rezultonte të ishte 12.15 metra, pra 3.75 metra më pak. E themi ndryshe: Fjalët janë prej llastiku, ndërsa shifrat prej guri. Ata pjesën e fundit e zëvendësuan me shifra llastiku, pra 111×121.5×88=1186621. Diferenca 0036630 metra kub. Ky nuk ishte thjesht problem teknik dhe aq më pak teorik. Ata synonin që të zvogëlohej largësia e shkeljes së territorit tonë nga vija e kufirit në brendësi të tij nga 125.25 metra në 121.50 m, pra 3.75 metra më pak.

Nga ana tjetër me këtë përcaktim do të përjashtohej nga llogaritja e shfrytëzimit të minierës blloku prej një mase dheu me dimensione 88x111x3.75 m kub=0036630 m kub”, ka rrwfyer koloneli. Burhani e ngriti i pari këtë problem dhe tregohej më aktivi, ndërsa gjeologu tjetër e mbështeste në çdo rast diskutimin. “Ndërpritej mbledhja dhe kur fillonim binim dakord që të mos binim dakord. Për ne minerali i kromit i shfrytëzuar nga ata në anën tonë u vlerësua në 34450 ton me çmimin e kohës 31.58 toni arriti vlerën e 1910450 $. Kësaj shumë i shtoheshin dhe shpenzimet e kryera për zbulimin e punimeve nga ana jonë prej 180000 $. Për ata 64050 ton me vlerë 334.896 $. Incidenti i mbetur “Top sekret” për kohën dhe 35 vjet post demokracisë, zbardhja e tij tashmë, hedh dritë mbi atë ndodhi të rrallë të kohës, reagimet e ndërsjellta dhe përplasjet deri mes krerëve përkatës të shteteve atë kohë, nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu nga pala shqiptare, tek udhëheqësit kryesor të ish Jugosllavisë e Josif Broz Tito.

Flasin për këtë incident dokumentet e kohës, rrëfimet e sotme të protogonistëve të kohës, shpalosen dështimet, reagimet e përplasjet mes palëve atë kohë (por dhe brenda secilit shtet) mes palëvve ndërmjet fuksionarëve më të lartë të UDBsë, jugosllave e homologëve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, roli i agjentëve në palën kundërshtare, femrat misterioze, skena e prapaskena të takimeve në Shkodër, Gjakovë në Tiranë apo Beograd… Gjithçka, deri në fund, ku pala jugosllave kapet me “Presh në duar”, pranon fajësinë e ndëshkimin (dëmshpërblimin). Zbulohet gjithashtu dhe shkaku pse qeveria shqiptare nuk pranoi dëmshpërblimin në të holla dhe cili qe kompromisi i heshtjes nga qeveria shqiptare për mosdenoncimin botëror të këtij skandali pa precedent. Probleme në kufijtë shtetërorë ka patur dhe do të ketë. Kështu në vitet 50- të Italia me Jugosllavinë u përplasën për problem të tilla. Në vitet 1970 rusët dhe kinezët për një ishull në vijën kufitare të Amurit, u përplasën me armë. Më 4 nëntor të vitit 1972 jugosllavët u dorëzuan: “Po kemi shkelur territorin e shtetit shqiptar me një largësi prej 127 metrash. Pranojmë verifikime!” Këtu nis faza më e vështirë e operacionit, pasi ata kishin skenarë të tjerë, me synim të maskonin skandalin”, – rrëfen kolonel Eqerem Shakaj. Kolonel Shakaj pohon se për çdo detaj të operacionit vihej në dijeni Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu. Enver Hoxha, pasi kërkon e bën verifikim të plotë se ku kishin shkuar paratë e mineralit të vjedhur dhe mëson e bindet, nuk pranon dëmshpërblim, duke thënë: “Nëse ato para kanë shkuar në interes e në investime të popullit shqiptar të Gjakovës, nuk duam dëmshpërblim!”.

NXJERRJA NGA SHTËPIA E KOLONELIT

Eqeremi është sot në moshën 92 vjeçare pranë “Strehës së të moshuarve në Kavajë”, sepse jeta ka peripecitë e veta. Në të gjithë rrugëtimin e tij, i udhëhequr nga virtytet e ndershmërisë dhe vlerat e patriotizmit, ai pranoi edhe shkarkimin nga detyra pas këtij “operacioni sekret”, duke e transferuar në një repart kundërajrori në Shijak. Në vitin 2017, e nxjerin nga shtëpia natën e vitit të ri më 31 dhjetor, me gjoja arsyetimin se shtëpisë i ka dalë pronari i vjetër, kur ajo në fakt ishte pronë e shitur një italiani dhe i kishte kaluar shtetit, sepse është firmosur traktati i Miqësisë me Italinë më 1947 dhe ishin likujduar të gjitha borxhet financiare të shtetasve të dy vendeve. Këtij njeriu që i ka borxh e gjithë shoqëria, shteti shqiptar i dha dekoratën e mosmirënjohjes, si shumë e shumë të tjerëve. Në ditarin e Eqeremit ndër incidentet kufitare problematikë, përveç zbulimit dhe hetimit në minierën e Duzhës (Gjakovë-Has) në vitin 1968-1972, është pasuar me shumë të tjerë në kufirin tokësor ShqipëriJugosllavi, është dhe ai i nivelimit të kufirit në zonën e Vermoshit, përkatësisht i ujërave të lumit. Në ditët dhe netët e punës së përbashkët, debatet e shumta dhe përplasja e argumenteve, shpesh edhe për një metër apo pëllëmbë tokë, nxirrte në pah qëllimet e kundërta, profesionalizmin, forcën e argumentit, deri dhe “tradhëtisë”.

/Gazeta Panorama 

“The Albanian Files”- Marrëzitë dhe verbëria e arkitektëve të Ramës në Shqipëri

“The Albanian Files”, një libër prej 800 faqesh që përmbledh mbi njëzet vjet arkitekturë të huaj në vend, nxjerr në pah para së gjithash marrëdhënien e veçantë mes arkitekturës dhe pushtetit.

 

Është ëndërr për çdo arkitekt: një drejtues qeverie që e konsideron të rëndësishme arkitekturën, fton studio të huaja, u jep kontrata dhe përfshihet personalisht në projektim.

Në Shqipëri, falë Edi Ramës, kjo ëndërr është bërë realitet.

“The Albanian Files”, një libër prej 800 faqesh që përmbledh mbi njëzet vjet arkitekturë të huaj në vend, nxjerr në pah para së gjithash marrëdhënien e veçantë mes arkitekturës dhe pushtetit.

Për këtë arsye, ai është kthyer në një portret demaskues të një profesioni që mungesën e kontrollit demokratik e ngatërron me lirinë e projektimit.

Truman Kapote e përshkroi librin legjendar “Në udhëtim” të Xhek Kuruakut—të cilin autori e shkroi nën ndikimin e amfetaminave si vërshim mendimesh të papërpunuara, pa përdorur shenjë pikësimi, duke shtypur me makinë shkrimi mbi një rul të pandërprerë letre— me fjalët: “Ky nuk është shkrim, është thjesht shtypje në makinë.”

Diçka e tillë mund të thuhet edhe për “Dosjet Shqiptare” (The Albanian Files), përmbledhjen gjigante të mbi 20 vjetëve arkitekturë dhe urbanistikë të huaj në Shqipëri, me redaktore botimi Aneke Abhelakhun dhe botues Lars Müller Publishers: “Ky nuk është redaktim, është thjesht printim.”

60 studio arkitekture nga Evropa, Amerika dhe Azia morën një formular me pyetjen se prej sa kohësh dhe për çfarë kishin punuar në Shqipëri.

Formulari u kërkonte gjithashtu të plotësonin një tabelë me të dhëna për projektet e tyre dhe më pas i ftonte të mbushnin një fashikull nga 8 deri në 16 faqe me vizatime, skica, mendime, fotografi apo çfarëdo tjetër që dëshironin të paraqisnin rreth këtyre projekteve.

Është pak a shumë ajo që bëjnë botuesit e shtëpisë botuese NAi010 (botuesi më i madh hollandez i librave të arkitekturës dhe artit) në fillim të procesit për hartimin e Vjetarit të Arkitekturës.

Më pas, duke u mbështetur te materiali i mbledhur, redaksia nis një odise qindraorëshe: viziton të gjitha projektet, diskuton se cilat duhen përfshirë dhe cilat jo, përzgjedh ose porosit fotografi dhe vizatime projektuese, shkruan tekste informuese për çdo projekt dhe reflekton mbi prodhimin e një viti arkitekturor përmes disa eseve të thelluara.

Lars Müller Publishers dhe Abhelakhu i kanë anashkaluar të gjitha këto faza. Ata janë kufizuar në bashkimin e materialeve në një lloj numuratori telefonik prej 800 faqesh, të strukturuar mbi bazën e përgjigjeve të formularëve dhe tabelave, shtypur në letër rozë.

Vëllimi paraprihet nga një hyrje e Anneke Abhelakhut, e cila shkruan në terma të përgjithshëm për tema si bashkëpunimi, shkëmbimi dhe bashkësia.

Parathënia është shkruar nga Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë prej 13 vjetësh dhe, më parë, për shumë vite kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Në një tekst të shkurtër e bombastik, ai lëvdon rolin heroik të ushtrisë së tij të arkitektëve të huaj (Arch Army) — në çlirimin e shqiptarëve nga izolimi dhe prapambetja, si dhe në përgatitjen e tyre për rolin që do të luajnë në Bashkimin Evropian dhe në botë.

Ndërkohë, pikërisht gjatë periudhës kur Rama ka qenë në pushtet, ka ndodhur një emigrim masiv i trurit — miliona shqiptarë të rinj dhe të arsimuar janë larguar drejt Evropës dhe pjesës tjetër të botës. Kjo diasporë, përfshirë edhe arkitektët mes saj, nuk ka luajtur asnjë rol domethënës në projektet e përmbledhura në libër.

Libri ka marrë një ngarkesë politike shumë më të madhe se çfarëdo libri tjetër mbi arkitekturën, në kontrast të plotë me përpjekjet minimale redaktoriale dhe mungesën e reflektimit që ai mbart.

Për nga përmbajtja, ky libër nuk mund të merret seriozisht, por megjithatë ia vlen të studiohet si simptomë dhe simbol i marrëdhënies midis arkitekturës dhe pushtetit.

“The Albanian Files” u botua kur rrugët e Tiranës ishin mbushur me shqiptarë që brohorisnin dhe këndonin me zë të lartë, duke protestuar kundër korrupsionit të qeverisë Rama dhe, veçanërisht, kundër lidhjeve të ngushta të kryeministrit — i cili që në kohën kur ishte kryetar bashkie njihej me nofkën “zotëria 10%” — me oligarkë, investitorë të dyshimtë të huaj dhe pastrimin e parave kriminale përmes pasurive të paluajtshme.

Në një vend nga ku prej dekadash emigrojnë dhjetëra mijëra njerëz çdo vit dhe që po zbrazet ngadalë, ndërtohet një kompleks apartamentesh të shtrenjta pas tjetrit. Më pas, këto ndërtesa mbeten bosh, sepse funksioni i tyre kryesor është pastrimi i parave të kokainës.

Pika që e mbushi kupën ishte një projekt ku Xhared Kushner kishte rol drejtues, mbushja e zonës natyrore të lagunës Vjosë-Nartë dhe e ishullit të Sazanit me një resort ekskluziv për më të pasurit.

Ndërthurja e rolit të Kushnerit si zhvillues pronash me rolin e tij si familjar dhe këshilltar i Donald Trampit për Gazën; ambicia e Edi Ramës për të fituar simpatinë e Trampit dhe për t’u përfshirë në rindërtimin e Gazës përmes Bordit të Paqes (Rama është një nga të paktët udhëheqës evropianë në Bord), ku ai thotë se dëshiron të angazhojë “ushtrinë e arkitektëve” të tij — i gjithë ky lëmsh krijoi një nyjë aq të pazgjidhshme korrupsioni, shkatërrimi të natyrës, lufte për pushtet dhe mbështetjeje për luftën e gjenocidin, saqë shqiptarët dolën masivisht në rrugë.

Për shkak të shpendëve që ndërtojnë foletë në lagunë, protesta mori emrin “Revolucioni i Flamingove” dhe demonstruesit filluan të mbanin pankarta rozë në formë flamingoje.

Ata protestonin kundër të gjithë sistemit, të karakterizuar nga kriminaliteti, nepotizmi dhe gërryerja e vlerave demokratike, me Edi Ramën në qendër të tij.

Revolucioni i Flamingove ndjek modelin e një tjetër proteste masive kundër një udhëheqësi të korruptuar dhe autoritar: protestat e Parkut Gezi në Turqi, në vitin 2013. Shkak për to ishte plani për ta mbushur parkun popullor Gezi, në qendër të Stambollit, me një qendër tregtare në stil neo-osman.

Demonstruesit e parë dolën në mbrojtje të parkut dhe kundër shitjes së hapësirës publike, por protesta shpejt u zgjerua dhe u drejtua kundër mënyrës së korruptuar dhe jodemokratike me të cilën Rexhep Erdogani impononte projektet e tij gjigante të ndërtimit.

Në fund, miliona njerëz në mbarë vendin protestuan kundër shkatërrimit të të drejtave dhe institucioneve laike e demokratike nga qeveria islamiste. Në Turqi, protestat u shtypën në mënyrë të pamëshirshme dhe të dhunshme nga ushtria, duke shkaktuar shumë viktima.

Edi Rama ka deklaruar se asgjë nuk mund ta rrëzojë nga froni.

Në Shqipëri ekzistojnë akoma institucione të pavarura të drejtësisë dhe qeveria ende nuk ka përdorur dhunë në shkallë të gjerë, prandaj ngjarjet nuk duhet të përfundojnë medoemos si në Turqi.

Megjithatë, Edi Rama ka deklaruar se asgjë nuk mund ta rrëzojë nga pushteti. Sipas tij, bëhet fjalë për një pakicë të vogël agjitatorësh të paguar nga fuqi të huaja.

Ai gjithashtu beson se vendi nuk ka qenë kurrë më mirë se nën drejtimin e tij.

Sipas tij, nëse ai do të largohej, Shqipëria mund ta harronte përgjithmonë anëtarësimin në BE.

Pak pasi kishin shpërthyer protestat, doli libri me titullin provokues The Albanian Files: Freedom and Architecture (Dosjet Shiptare: Arkitektura dhe Liria), dhe protestuesve iu dhurua kështu një simbol: një libër që përmban vetëm arkitektë të huaj, të cilët, falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Edi Ramës, kishin marrë porosi për të realizuar një seri të tërë projektesh ikonike të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme.

Mes ndërtimeve janë shembujt më të dukshëm të korrupsionit dhe pastrimit të parave, të cilët, me format e tyre të çuditshme, kanë pushtuar horizontin urban të Tiranës.

Krahasimi me The Epstein Files (Dosjet e Epstinit) u bë menjëherë. Një faqe interneti që botoi qindra faqe dokumentesh ligjore mbi korrupsionin e qeverisë Rama u quajt  The Edi Rama Files.

Legjenda e gjallë Fatos Lubonja, shkrimtar dhe ish-i burgosur politik gjatë regjimit stalinist, nisi një projekt për të dokumentuar sistematikisht abuzimet me pushtetin dhe burimet që kishin mundësuar realizimin e secilit prej projekteve të përmendura në libër.

Edi Rama kundërsulmoi duke e tundur librin si një manifest politik të luftës së tij për ta çliruar Shqipërinë nga dekada prapambetjeje dhe izolimi, me ndihmën e arkitekturës.

Për të mbledhur një turmë edhe më të madhe se protestuesit, në mbështetje të tij, Edi Rama ndërtoi një stadium të tërë të përkohshëm për një koncert të vetëm të Kanje Uestit, të cilit, para fotografëve të mbledhur, i vuri në duarl librin Dosjet Shqiptare.

Edhe në këtë rast ai zgjodhi shkëlqimin e huaj për të forcuar pozitën e vet. Sigurisht, mund të kishte ftuar Dua Lipën, por më vonë superylli britaniko-shqiptar do të shprehej në mbështetje të protestave të Flamingove dhe kundër Edi Ramës.

Libri tërhoqi edhe më shumë vëmendje kur një deputet i opozitës citoi në parlament një fragment nga kontributi i Reinier de Grafit të OMA-s.

De Grafi i kishte drejtuar një letër të hapur kryeministrit, në të cilën i kërkonte që, nëse ishte e nevojshme, të shpërndante parlamentin dhe të mos zhvillonte më zgjedhje, mjafton që të mbetej ai në pushtet.

Sipas De Grafit, studiot e huaja të arkitekturës të paraqitura në Dosjet Shqiptare, përfshirë edhe vetë atë, ishin bërë plotësisht të varura nga marrëdhënia personale që kishin me Ramën, në një botë ku arkitektura po humbte gjithnjë e më shumë terren.

Prandaj, sipas De Grafit, zgjedhjet e ndershme dhe ndryshimi i pushtetit do të ishin katastrofike për arkitekturën.

Sipas deputetit shqiptar, kjo letër ishte “prova vendimtare” që dëshmonte se sa i korruptuar dhe autoritar ishte në të vërtetë regjimi i Ramës dhe cila ishte agjenda e fshehtë e politikës së tij.

Redaktorja e librit dhe Edi Rama u përgjigjën se ky reagim tregonte, pikërisht, se sa pak e kuptonin kundërshtarët e tyre ironinë dhe se përfshirja e kësaj letre dukshëm satirike të De Grafit tregonte sa të hapur dhe transparentë ishin ata.

Ndërsa demonstruesit dhe disidentët e shohin librin si një dokument të paturpësisë së korrupsionit nën qeverisjen e Edi Ramës, Rama dhe redaktorja e tij e paraqesin pikërisht paturpësinë e librit si diçka pozitive.

Në përgjigje të një shkrimi kritik botuar në Archined, redaktorja Anneke Abhelakh deklaroi se libri bënte pikërisht atë që duhet të bëjnë arkivat dhe dosjet: të shënojnë një moment kur zhvillohet një debat i gjerë shoqëror.

Pikërisht sepse janë bërë shënjestra e një proteste kundër qeverisë së korruptuar, Dosjet Shqiptare paraqitet prej tyre si manifest i lirisë për të pasur mendime të ndryshme.

Është interesante të shihet se sa forma të ndryshme mund të marrë paturpësia: nga njëra anë mënyra teatrale dhe vulgare me të cilën Edi Rama i hedh zjarr polemikës dhe u kundërpërgjigjet kritikëve duke e ngritur zërin në maksimum dhe nga ana tjetër mënyra me të cilën Abhelakh përpiqet t’i zbusë kundërshtarët përmes një arsyetimi ledhatues, por të pakuptimtë.

Është Donald Trump përballë Mark Rutes.

Redaktorja i ka dhënë librit nëntitullin “Freedom and Architecture” (Liria dhe Arkitektura), me sa duket duke u nisur nga ideja se liria është tema që bashkon grumbullin heterogjen të projekteve në libër.

Duke gjykuar nga parathënia e Ramës, hyrja e Abhelakhut dhe reflektimet e shumë arkitektëve, liria për të cilën flitet është ajo e arkitekturës si shenjë e çlirimit nga shtrëngimi dhe izolimi i regjimit stalinist, i rrëzuar tashmë 35 vjet më parë.

Në këtë mënyrë, arbitrariteti i dukshëm, kaosi hapësinor, kapitalizmi agresiv, madje edhe kriminaliteti dhe korrupsioni marrin një shkëlqim të veçantë: atë të lirisë së sapofituar për të eksperimentuar, ku nganjëherë gjërat mund të bëhen brutale, por, fundja…

Është e njejta mendësi siç tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, pas plaçkitjes së Muzeut Irakian të Antikiteteve:

“Liria është e rrëmujshme dhe njerëzit e lirë janë të lirë të bëjnë gabime, të kryejnë krime dhe të bëjnë gjëra të këqija. Ata janë gjithashtu të lirë të jetojnë jetën e tyre dhe të bëjnë gjëra të mrekullueshme. Dhe kjo është ajo që do të ndodhë këtu.”

Siç ndodh shpesh me udhëheqësit që qëndrojnë tepër gjatë në pushtet, Rama ka filluar ta barazojë interesin e Shqipërisë me pushtetin e vet.

Ai e sheh veten si të vetmin person të aftë për t’i udhëhequr shqiptarët në kapërcimin e asaj që e quan trauma e çlirimit: hapja e menjëhershme e dyerve dhe dritareve në një dhomë të errët dhe konfuzionin që pason.

Prandaj, “Baba Rama” duhet të udhëheqë me dorë të fortë, edhe kur shqiptarët përkohësisht nuk e kuptojnë dhe lejojnë të manipulohen nga armiqtë e popullit. “Kërcënimi më i madh për Shqipërinë janë vetë shqiptarët”, tha ai jo shumë kohë më parë.

Ndërsa Rama është i pushtuar plotësisht nga narcizmi i mbretit-diell, arkitektët dhe redaktorja luajnë rolin e “idiotit të dobishëm”, një emërtim që politikanët sovjetikë përdornin për simpatizantët komunistë në Perëndim, të cilët vinin për të ndihmuar në ndërtimin e utopisë punëtore — mes tyre jo pak arkitektë.

Në fund të fundit, prej arkitektëve kërkohet një lloj i veçantë marrëzie që, 35 vjet pas rënies së komunizmit, ta shpërfillin kaosin e korruptuar ku punojnë si dhimbjet e pashmangshme të rilindjes së një vendi që po çlirohet nga e kaluara dhe ta shohin Edi Ramën si udhëheqësin e ndriçuar pa të cilin vendi nuk do të mund ta rishpikte kurrë veten.

Si në formën redaktoriale, ashtu edhe në vetë projektet e përzgjedhura, në Dosjet shqiptare nuk gjendet asnjë gjurmë e ndonjë qasjeje të përbashkët përmbajtësore, apo të ndonjë analize të përbashkët hapësinore apo të ndonjë hierarkie midis çështjeve kryesore dhe atyre dytësore — gjë që do të ishte e pritshme në një vend ku pushteti mbi arkitekturën është kaq i përqendruar.

Një farë koherence mund të dallohet në kontributet e studiove që punojnë prej njëzet vjetësh në Shqipëri dhe i kanë renditur projektet e tyre kronologjikisht, si City Förster nga Roterdami dhe 51N4E nga Belgjika. Megjithatë, edhe këto mbeten seri që mezi plotësohen ose ndërthuren me njëra-tjetrën.

Shumica dërrmuese e kontributeve nuk shkon përtej anekdotikes dhe subjektives, me shpërthime të shprehjes më individuale të emocioneve personale, të cilat projektues të ndryshëm nuk kanë dashur të na i kursejnë.

Në të vërtetë, marrëzia e “ushtrisë së arkitektëve” (Arch Army) të Ramës është i vetmi “ind” që i bashkon projektet dhe përbën arsyen e ekzistencës së librit.

Vetëm marrëzia i bashkon temat e punimeve, pikëpamjet e autorëve dhe konsensusin e tyre — absurd — mbi rolin e arkitekturës dhe karakterin e qeverisë Rama.

Fjalën “marrëzi” e përdor me vetëdije, jo për të provokuar apo fyer.

Në një artikull jashtëzakonisht të mprehtë, shkrimtari palestinez Abdaluaxhad Omar shqyrton çështjen se përse aq shumë kritikë eruditë dhe inteligjentë, brenda e jashtë Izraelit, gjejnë vazhdimisht mënyra për ta minimizuar, mohuar ose anashkluar gjenocidin izraelit ndaj palestinezëve.

Ai vëren se ata e bëjnë këtë gjë duke përdorur repertorin e debatit intelektual, ndërsa lënë mënjanë logjikën përmbajtësore, proporcionalitetin, kontekstin dhe arsyen.

Ai e quan këtë “marrëzi morale” dhe e dallon nga padituria, të cilën njeriu nuk e zgjedh, por edhe nga frika, e cila nënkupton një rrezik personal që dikush nuk është i gatshëm ta marrë.

Sipas Omarit, marrëzia morale është zgjedhja për të ndaluar së menduari, arsyetuari dhe analizuari, në mënyrë që të mos përballesh me humnerën e përgjegjësisë personale që sjell bashkëpunimi me një padrejtësi.

Lentja e marrëzisë së Omarit jep një pamje të mprehtë të zgjedhjeve dhe retorikës së arkitektëve në Shqipëri.

Nuk është se ata janë të marrë ose budallenj, apo kriminelë që në fillim. Ata as nuk po zbatojnë, në bashkëpunim me Edi Ramën, ndonjë komplot të përgatitur me kujdes.

Përkundrazi, konteksti ku punojnë ka bërë që disa veçori dhe gabime logjike, të brendshme të vetë profesionit të arkitekturës, të shndërrohen në pika të verbra me pasoja katastrofike.

Jam përpjekur t’i rendis këto kurthe mendore, të cilat krijuan pika të verbra dhe më pas çuan në marrëzi morale të tipit të përshkruar nga Abdaluaxhad Omari.

Së pari, është marrëzia e vetës së parë. Nuk kam lexuar kurrë një libër arkitekture ku fjala “unë” të përdoret aq shpesh sa në Dosjet Shqiptare. Nga përgjigjet në formular e deri te reflektimet mbi projektet vetjake, gjithçka është subjektive, intuitive, e drejtpërdrejtë dhe emocionale.

Shembujt luhaten nga “Më telefonoi Edi, i cili e kishte marrë numrin tim nga Benedeta” (Alehandro Aravena) te “Po ecja nëpër Tiranë duke parë me dylbi dhe pashë një flutur” (Xhin Geng) apo “Nuk mund të vij në Shqipëri, sepse më dhemb shpina.” (Alvaro Siza).

“Nëna ime bënte ushtrime joge nën një strehë bambuje në Indonezi, prandaj ky resort bregdetar do të ndërtohet me bambu, ose ndoshta jo” — Elora Berton.

Pavarësisht pohimeve të shumta për bashkëpunim, për projekte të përbashkëta dhe për distancimin nga fama e “arkitektëve yje”, në fakt ata flasin kryesisht për veten.

Libri e përforcon këtë qasje duke përfshirë në faqet me informacion të përgjithshëm edhe nofkat e disa arkitektëve. Sam Çermajef, për shembull, pëlqen ta thërrasin “Gangsteri Çeçen”, ndërsa NOA preferon “Malësorët e Mesdheut”— dhe këto nofka janë shtypur në libër.

Së dyti kemi marrëzinë e skicës. Një pjesë shumë e madhe e kontributeve përbëhet nga imazhe të shkarravinave spontane të arkitektëve, tek të cilat dalloj, sikur të isha aty, lëngun krijues që rrjedh pikë-pikë e ngurtësohet, për shembull, në një kullë me planimetri të përdredhur (Pablo Bofill) ose në një fasadë në formë krahësh fluture (Xhin Geng).

Pavarësisht fjalëve të shumta për rëndësinë e procesit, pjesëmarrjes dhe bashkëkrijimit, koncepti i projektit përcaktohet që me skicën e parë, në atë vend dhe atë çast kur kjo është bërë.

Një skicë mund të jetë vizatuar nga një arkitekt që as nuk e ka vizituar dhe as nuk ka për ta vizituar kurrë Shqipërinë (Siza) ose nga një arkitekte që, pa folur ende me ndonjë ekspert vendas, vizaton mbi rrotulla të mëdha letre kalk një qytet me 50 mijë banorë në një formë grafike dukshëm ekspresioniste (Anupama Kundo).

Stiven Holl madje e ka zmadhuar mijëra herë njërën prej vijave të tij spontane, derisa ajo është shndërruar në siluetën e çrregullt të një ndërtese të madhe, e cila është ndërtuar vërtet.

Së treti kemi marrëzinë e turistit. Dhjetëra arkitektë arrijnë në të njëjtin përfundim: konteksti më i rëndësishëm me të cilin duhet të lidhen është peizazhi, veçanërisht malet dhe deti, i cili, siç vëren Liz Diller, në Shqipëri është gjithmonë akuamarin.

Nga Portoja, Alvaro Siza skicon se sa bukur hyjnë shkëmbinjtë shqiptarë në det, ndërsa Uinka Dabëlldam frymëzohet nga faqet shkëmbore për të krijuar fasada të pjerrëta dhe të gjelbëruara për kullat në mes të Tiranës.

Arkitektë të tjerë gjejnë guralecë në plazh dhe frymëzohen prej tyre për të ndërtuar një resort bregdetar gjigant në formën e gurëve të stërmëdhenj (Berton).

E njëjta marrëzi bën që shumë arkitektë të flasin për mikpritjen e “shqiptarit” dhe për numrin e madh të pjatave që u shërbehen në drekat e tyre.

Së katërti kemi marrëzinë e kolonialistit. Në hyrjen e librit dhe në shumë kontribute flitet për shkëmbime jashtëzakonisht të vlefshme ndërmjet arkitektëve të huaj dhe studiove vendase.

Megjithatë, ky shkëmbim nuk përkufizohet si bashkëpunim gjatë procesit krijues, por si një mënyrë për ta realizuar ndërtesën me burime vendase.

Ideja është se ky shkëmbim nis një proces mësimor, në mënyrë që, pas disa vjetësh, edhe arkitektët vendas të arrijnë nivelin e arkitektëve të huaj dhe të mund të projektojnë vetë ndërtesa.

Ajo që arkitektët e huaj dëshirojnë vërtet të mësojnë janë zanatet e vjetra të ‘shqiptarit’.
Ajo që arkitektët e huaj dëshirojnë vërtet të mësojnë nga zanatet e vjetra të ‘shqiptarit’ janë rritja e deleve (Cityförster), thurja e shportave, ndërtimi me gurë dhe gdhendja e drurit, sepse këto mund të çojnë në veshje të reja dhe të spikatura fasadash, për shembull në një terminal aeroporti (Archea).

Edhe modelet e veçanta të palosjes së veshjeve tradicionale mund të frymëzojnë fasadën e palosur të një kulle të lartë.

Ashtu si në klishetë romantike për peizazhin, Shqipëria paraqitet si një parajsë e paprekur, pa qytetari, pa politikë apo arkitekturë, por me folklor, kostume popullore dhe zejtari tradicionale, që pret në padije frytet e përparimit.

Ky është orientalizëm në formën e tij më të pastër.

Pastaj kemi marrëzinë e nacionalizmit. Ajo ilustrohet veçanërisht nga projektet e MVRDV-së. Uini Mas ka thënë më herët, gjatë një prezantimi, se ai dhe Edi Rama dëshironin ta bënin “nacionalizmin përsëri seksi”.

Fillimisht, kjo u shfaq në propozimet për të shkruar mbi ndërtesa me shkronja gjigante “I love Albania”; më pas, në propozimet për të mbuluar të gjitha ndërtesat me shqiponjën e zezë dykrenare mbi sfond të kuq; dhe më vonë, në propozimin për një pallat gjigant ku të gjitha apartamentet do të dilnin jashtë fasadës, duke formuar së bashku një hartë tridimensionale të vendit.

Kulmi i ‘nacionalizmit seksi’ të MVRDV-së është ‘Skanderbeg Building’, një ndërtesë apartamentesh luksoze 90 metra e lartë, në formën e kokës së atit të kombit: kryeluftëtarit të shekullit XV, Skënderbeut.

Gjatë shekullit XIX, rreth figurës së Skënderbeut u krijua miti nacionalist i mbrojtësit të Evropës së krishterë nga hordhitë aziatike të Perandorisë Osmane.

Për t’i dhënë kokës gjigante, që mbështetet mbi një qafë dhe shpatull po aq gjigante, një formë anatomike të saktë dhe bindëse, Uini Mas modeloi të gjithë trupin e heroit kombëtar në një skulpturë digjitale 500 metra të lartë.

E gjithë kjo shërben për të krijuar, duke u mbështetur te historia e vendit, ndërtesa që ofrojnë identitet — ose të paktën kështu e shpjegojnë ata.

Realiteti është se, pavarësisht se një arkitekt holandez mund të flasë për nacionalizmin sikur të bëhej fjalë për marketing urban, nacionalizmi në Ballkan ka një histori të gjatë.

gjatë tridhjetë vjetëve të fundit, evokimi i betejave të përgjakshme gjashtëqindvjeçare, si ato ku Skënderbeu mundi turqit, nuk është bërë për qëllime të pafajshme në këtë rajon.

Kjo qasje ndërthuret gjithashtu me rolin që Edi Rama i ka caktuar vetes në forcimin e “Fortesës Evropë” kundër të ardhurve nga lindja dhe jugu, si në qendrat e ndalimit për azilkërkues që ai i lejon qeverisë italiane të ndërtojë në territorin e tij, ashtu edhe në mbështetjen e tij për luftën shfarosëse të Izraelit kundër popullit palestinez.

Për më tepër, për këdo në Shqipëri është shumë e qartë se kujt i përket në të vërtetë koka madhështore me mjekër të mprehtë, kafkë tullace dhe vështrim të zemëruar: vetë kryeministrit, si rimishërim i Skënderbeut.

Ajo që u mendua si një lojë pa të keq nga ana e MVRDV-së me një simbol kombëtar, në këtë kontekst dhe në këtë shkallë nuk mund të quhet ndryshe veçse arkitekturë fashiste.

Kam dy argumente për këtë pohim.

Së pari, nuk kemi të bëjmë thjesht me një imazh të ngjashëm me një simbol kombëtar dhe as thjesht me një ndërtesë kushtuar atij simboli.

Kemi një ndërtesë që është vetë trupi gjigant i simbolit kombëtar, në të cilën identiteti kombëtar dhe udhëheqësi shkrihen në një.

Ndërtesa është gjithashtu aq e madhe sa mund të mbajë brenda qindra njerëz, duke e shkrirë popullin me trupin e udhëheqësit në një konstruksion të vetëm. Kjo është arkitekturë fashiste.

Simboli i unitetit kombëtar, i cili mishëron origjinën dhe thelbin e popullit shqiptar, realizohet në një shkallë të tillë dhe vendoset në një pikë aq qendrore, saqë askush nuk mund t’i shpëtojë syve të Skënderbeut. Edhe kjo është arkitekturë fashiste.

Me “Skanderbeg Building” (të njohur gjithashtu si “Tirana’s Rock”), MVRDV-ja ka projektuar një ndërtesë fashiste. Nëse arkitektët e kanë pasur apo jo këtë qëllim, është e parëndësishme.

Ndonjëherë gjërat janë thjesht ato që janë.

Marrëzia e fundit, e cila përbën kushtin që pesë të parat të funksionojnë, është marrëzia e vetë arkitekturës. I gjithë projekti shqiptar i Ramës dhe “ushtrisë së arkitektëve” (Arch Army) të tij përshkohet nga një pakt faustian ndërmjet pushtetit dhe arkitektit.

Këtë e shohim në fjalët e shumta të vlerësimit që arkitektët i drejtojnë udhëheqësit, në apologjitë e Abhelakhut dhe të Ramës, por edhe në anekdotat për kontaktet e para ndërmjet arkitektëve dhe Ramës, fillimisht si kryetar bashkie dhe më pas si kryeministër.

Nëse vini të ndërtoni këtu, do të sigurohem që t’i merrni kontratat dhe që asgjë të mos ju pengojë. Fjalë për fjalë ose në ndonjë formulim të ngjashëm, Rama ua ka bërë këtë deklaratë me dhjetëra herë arkitektëve, shpesh të rinj, por edhe me përvojë, projekti i të cilëve nuk kishte fituar në ndonjë konkurs ose që i ishin rekomanduar nga ndonjë arkitekt tjetër.

Sharmi i Ramës është legjendar, po ashtu edhe shija e tij dhe njohja e zhargonit arkitekturor: “Ju lutem, më lejoni të prezantohem: jam njeri me pasuri dhe shije.”

Arkitektët i kanë pranuar ftesat e tij nisur nga besimi se arkitektura e mirë është vendimtare për ndërtimin e një vendi dhe se ata mund të luanin një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces.

Pothuajse çdo arkitekt në libër pohon se arkitektura e mirë mund të realizohet vetëm falë një udhëheqësi qeveritar që beson vërtet tek arkitektura dhe angazhohet personalisht për arkitekturën dhe për zgjedhjen e arkitektëve.

Në mënyrë teatrale, Rama i hedh poshtë kundërshtimet që i bëjnë zhvilluesit e pronave apo zyrtarët e qeverisë së tij dhe vendos përjashtime nga planet e miratuara urbanistike apo anashkalon kufizimet e tjera ligjore.

Gjithçka në emër të arkitekturës.

Marrëzia e arkitekturës qëndron në faktin se ajo ka filluar t’i barazojë interesat e veta me interesat e shoqërisë dhe, për rrjedhojë, t’i nënvlerësojë kundërshtimet e shoqërisë përballë interesave të arkitekturës.

Libri quhet “Liria dhe Aritektura”, por në të vërtetë flet për “Liri për Arkitekturën”.

Më në fund arkitektët janë çliruar nga rregullat dhe ligjet; më në fund ata i kanë detyruar zhvilluesit që t’u japin respekt; më në fund ata janë të vlerësuar siç duhet nga politika.

Rama është i mirë për arkitekturën dhe arkitektura është e mirë për botën.

Megjithatë, edhe brenda kushteve të paktit me Ramën, arkitektura nuk shkon gjithmonë mirë.

Ideve të arkitektëve të huaj mund të mos u vendoset asnjë pengesë, por projektet shpesh realizohen me shumë shpejtësi, shumë lirë ose zbatohen në mënyrë të gabuar — ndaj projektet fillojnë të shkërmoqen sapo largohen fotografët nga prezantimet e tyre.

Shumë prej arkitektëve të librit e pranojnë këtë, por e paraqesin si proces mësimi, si dhimbje të rritjes, si diçka që do të përmirësohet sapo ndërtuesit shqiptarë të kapërcejnë prapambetjen teknike.

Pra, edhe ky fakt shërben për të konfirmuar prapambetjen e Shqipërisë dhe të nevojës për arkitekturë të mirë.

Problemi i dytë është se Rama nuk ka lidhur pakt vetëm me arkitektët e huaj, por edhe me zhvilluesit, investitorët dhe kompanitë e ndërtimit.

“Punoni me këta arkitektë dhe do t’ju lejoj të ndërtoni çfarë të doni, kudo që të doni dhe me çfarëdo parash që keni nevojë të sistemoni”, u thotë kryeministri oligarkëve, trafikantëve të kokainës dhe fuqive të huaja.

Në këtë mënyrë, Rama mund t’i paraqitet botës së jashtme, veçanërisht BE-së, si një udhëheqës i ndriçuar, një superkryetar bashkie që realizon njëri pas tjetrit projekte kulturore dhe ekologjike me arkitektë të huaj.

Për Shqipërinë, kjo do të thotë që Rama dhe “ushtria e arkitektëve” të tij shërbejnë si porta për investimin dhe pastrimin e dhjetëra miliardave nga oligarkët shqiptarë.

Këtu lind problemi tjetër për arkitektët, të cilin ndoshta mund ta quajmë marrëzia ligjore. Normalisht, roli i arkitektit në projekte të dyshimta ndërtimi shpërfillet plotësisht.

Njëzet vjet më parë, arkitekti Karel Ueber tha se fakti që asnjë arkitekt nuk ishte ftuar në hetimin parlamentar për mashtrimet në sektorin e ndërtimit të Hollandës dëshmonte se sa periferik ishte bërë profesioni i arkitekturës.

Me Dosjet Shqiptare në duar, shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe në fakt disa hetime të gjera penale kanë filluar.

Gazetarët dhe kritikët vendas kanë më shumë se dhjetë vjet që shkruajnë për llumin e korrupsionit dhe kriminalitetit ku janë zhytur arkitektët e huaj.

Ata madje kanë kontaktuar disa herë studiot e arkitekturës për t’i paralajmëruar.

Të paktën ky është përparim krahasuar me hetimin hollandez mbi mashtrimet në ndërtim.

Nuk është çudi që shumë prej arkitektëve të përfshirë në libër të kenë angazhuar tashmë avokatë për t’u përgatitur për stuhinë ligjore që pa dyshim do të vijë.

Deri pak kohë më parë, projektuesit mendonin se ata nuk do të merreshin në përgjegjësi dhe, për më tepër, ata nuk kishin marrë pjesë në këto aktivitete me vetëdije.

Mirëpo, në ndjekjet penale për korrupsion dhe pastrim parash, ky arsyetim nuk është gjithmonë mbrojtje e mjaftueshme.

Të çliruar nga shteti i së drejtës

Çështjet juridike janë plotësisht jashtë fushës së një kritike libri.

Por megjithatë mund të thuhet ky përfundim: liria që arkitektët e huaj kanë përjetuar gjatë ndërtimeve në Shqipëri është, në të vërtetë, çlirimi nga detyrimet e shtetit të së drejtës dhe kontrollit demokratik.

Ata janë çliruar nga detyrimet për mbrojtjen e natyrës dhe nga rregullat e transparencës.

Janë çliruar nga nevoja për t’u konsultuar me zyrtarët që ngrejnë pyetje apo kanë kritika, me aktivistët që luftojnë për ruajtjen e kësaj apo restaurimin e asaj, si dhe nga rregullat e prokurimit të Bashkimit Evropian.

Ata janë çliruar nga rregullat e paanshme administrative që duhet të zbatohen njësoj për të gjithë, pa marrë parasysh personin.

Kanë shpëtuar nga indiferenca monumentale për arkitekturën që hasin tek politikanët dhe porositësit vendorë.

Janë çliruar nga parimet e demokracisë kushtetuese, përfshirë idenë se pikërisht politika nuk duhet të përfshihet personalisht në përmbajtjen e arkitekturës, artit apo formave të tjera të kulturës.

Me veprimet e tyre, arkitektët shprehin bindjen se arkitektura e mirë mund të lindë vetëm nën një diktaturë të ndriçuar dhe për hir të saj ia vlen të braktisen parimet demokratike.

Ky nuk është vetëm një gabim taktik që do t’u kushtojë shtrenjtë në shumë mënyra, por edhe një tradhti ndaj popullit shqiptar, i cili prej muajsh po e ngre masivisht zërin për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Çfarë tregon përfshirja në Shqipëri për arkitektët tanë?
Por çfarë tregon për arkitektët e rajonit tonë fakti që, në entuziazmin e tyre për makinën politike të Edi Ramës, ata largohen nga parimet mbi të cilat mbështeten institucionet e Bashkimit Evropian?

Vetë ata thonë se korrupsionin e konsiderojnë si dhimbjet e natyrshme të rritjes së një vendi në tranzicion dhe se arkitektura luan një rol pozitiv në normalizimin e Shqipërisë.

Por nga ky tranzicion shihet shumë pak.

Për më tepër, toni i ngazëllyer i kontributeve të arkitektëve në libër lë të kuptohet se ata duan ta paraqesin Shqipërinë si shembull pozitiv për Evropën.

Në intervistat me arkitektët në dokumentarin Albanian Calls, filmi shoqërues i librit i realizuar nga Anneke Abhelakhu, mburrja e disa arkitektëve duket sikur vjen drejtpërdrejt nga “manosfera”.

Ndoshta obsesioni i arkitektëve me Ramën nuk është vetëm çështje oportunizmi, por edhe simptomë e dëshirës për shkelje të normave shoqërore, për t’u ngritur mbi moralin meskin të shoqërisë borgjeze.

Edi Rama ua ka ofruar atyre Shqipërinë si një vend ku profesioni i arkitekturës mund të përjetohet me pasion, pa pasur nevojë të marrin vazhdimisht parasysh të tjerët.

“Mos na telefononi. Do t’ju telefonojmë ne”
Ndërsa më parë Shqipëria identifikohej plotësisht me Edi Ramën, tani ajo po përkufizohet nga rezistenca kundër tij.

Në çdo rast, është e qartë se e ardhmja e Shqipërisë nuk qëndron te Edi Rama dhe arkitektët e tij. Mund të zgjasë shumë ose pak, por këtij regjimi do t’i vijë fundi.

Demonstratat e kanë arritur tashmë fitoren e tyre të parë: kanë ndryshuar imazhin që kemi për Shqipërinë.

Ndërsa më parë Shqipëria identifikohej plotësisht me Edi Ramën, tani ajo po përkufizohet nga rezistenca kundër tij.

Imazhi ikonik i vendit nuk është më koka e Edi Ramës, në formë fotografike apo arkitekturore, por bulevardet dhe sheshet plot me njerëz që mbajnë flamingo.

Por ky është vetëm hapi i parë.

Tani që vëmendja është përqendruar te rezistenca, po u kushtohet vëmendje edhe librave të panumërt, shkrimeve në Substack, gazetarisë investigative dhe doktoraturave mbi atë që po ndodh në vend.

Po bëhet e qartë se mes shqiptarëve ekziston një elitë intelektuale e jashtëzakonshme dhe një angazhim i fuqishëm idealist.

Demonstratat kanë aktivizuar gjithashtu diasporën, e cila ka marrë pjesë masivisht në protestat në atdhe.

Në fakt, nën Ramën vendi është izoluar plotësisht nga bota e jashtme, duke i mbyllur shqiptarët pas një muri kitschi neoliberal të fryrë dhe duke i poshtëruar sistematikisht si të prapambetur dhe të pazhvilluar.

Pas më shumë se një dekade paralajmërimesh nga intelektualët disidentë shqiptare dhe nga disa gazetarë të huaj, muri i marrëzive duket se më në fund po shembet, pikërisht falë ndërhyrjes së familjes Tramp.

Hapi i tretë është që shoqëria e vërtetë civile shqiptare, e përbërë si nga shqiptarët brenda vendit, ashtu edhe nga diaspora, të arrijë të rindërtohet mes rrënojave të pothuajse njëzet vjetëve të pushtetit Rama.

Parashikimi im është se rishpikja e një demokracie pjesëmarrëse dhe transparente do të sjellë një lulëzim të inteligjencës projektuese dhe krijimtarisë, që do të shërbejë si shembull për të gjithë ne.

Ndoshta do të ketë tema dhe sfida për të cilat shqiptarët e rinj do të dëshirojnë të angazhojnë specialistë nga Holanda. Kush e di, ndoshta një ditë edhe arkitektë!

Por pres që qëndrimi i Shqipërisë të jetë: Mos na telefononi. Do t’ju telefonojmë ne. /Marrë nga Exit.al

“Sovjetikët kanë vendosur katër baza detare, njëra prej tyre në Sazan” Dokumentet sekrete të CIA-s, për praninë ruse në Shqipëri: Ishulli është fortifikuar me artileri të rëndë…

CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente “Tepër sekrete” por prej vitesh të deklasifikuara, tregohet se BRSS-ja ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug të vendit. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska në ishullin e Sazanit dhe Gjirin e Vlorës, dhe po ashtu bazat ajrore, si ajo e Rinasit, e Kuçovës, etj. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut në verën e vitit 1974, nga të gjitha funksionet në ushtri e parti.

Korrik 1961

Aktivitetet sovjetike në ushtrinë e Shqipërisë

Shqipëria e ashpër malore po kthehet nga sovjetikët në një “Gjibraltar të kuq” në mes të Mesdheut. Që prej përjashtimit të Jugosllavisë nga bashkësia komuniste e Kominform, Shqipërisë po i kushtohet rëndësi e madhe nga BRSS-ja. Ata po pajisin ushtrinë shqiptare me mjete moderne dhe kanë ngritur baza detare dhe raketore në Shqipëri.

Inxhinierët dhe teknikët sovjetikë kanë punuar prej vitesh në vend dhe kanë modernizuar bazat. Ata kontrollojnë tashmë shtatë baza ajrore dhe pesë baza nëndetësesh. Baza ajrore e Rinasit pranë Tiranës, Devolli dhe Diranova pranë Beratit, Ergiri në Gjirokastër, Delvina e Aulona pranë Vlorës, dhe Ishmi, një fshat pranë Tiranës.

Katër baza detare janë vendosur rreth Vlorës. Një prej tyre është në kepin Linguetta, në veri-perëndim të gjirit të Vlorës, dy baza gjenden në Gjirin e Vlorës dhe një në ishullin e Sazanit. Nëndetëset sovjetike besohet se janë shpërndarë në këto baza. Shqipëria rimori ishullin e Sazanit pas Luftës së Dytë Botërore.

Sovjetikët kuptuan rëndësinë e tij strategjike dhe nisën ndërtimin e stabilimenteve për vendosjen e nëndetëseve. Besohet se janë ndërtuar rreth dymbëdhjetë vendqëndrime nënujore për nëndetëset në ishullin e Sazanit, teksa pas krizës së kanalit të Suezit u vendos të ndërtohen edhe pesë të tjera. Katër depozita nëntokësore për karburante janë ndërtuar, teksa rreth 12 nëndetëse janë stacionuar aktualisht në ishull.

Tre nëndetëset e fundit, erdhën këtu gjatë vizitës së flotës sovjetike. Ishulli i Sazanit është fortifikuar gjithashtu me artileri të rëndë të vendosur në shina. Civilët nuk lejohen aty dhe anijet nuk lejohet të kalojnë pranë ishullit, pasi zona kontrollohet ashpër nga sovjetikët. Nafta e prodhuar në Kuçovë vjen në Vlorë me anë të rrjetit të tubacioneve.

Sovjetikët kanë nisur ndërtimin e një rafinerie nafte, në kuadër të ndërtimit të infrastrukturës së plotë mbështetëse për bazën detare të Sazanit. Flota detare ruse në Sazan ka si shënjestër Flotën e Gjashtë të SHBA dhe anijet e saj mbështetëse. Gjashtë nga nëndetëset ruse të dislokuara në Sazan janë vërejtur të ndjekin Flotën e Gjashtë dhe anijet e saj të furnizimit.

Ato janë nëndetëse të kategorisë “Ë” me aftësi lundrimi deri në 5000 milje pa nevoja ri furnizimi, që do të thotë se mund të lundrojnë nga Egjeu në Mesdhe dhe brigjet afrikane me lehtësi. Sovjetikët janë gjithashtu të aftë të dërgojnë nëndetëset e tyre në Vlorë në formë të çmontuar, për t’i montuar më pas aty.

Më shumë se 400 punonjës shqiptarë dhe ekspertë rusë punojnë në montimin e nëndetëseve sovjetike. Vitet e fundit është vërejtur se disa nga nëndetëset po ndërtohen nën masa fshehtësie në bazën e Vlorës. Raportime të tjera thonë se nëpër tunelet e bazës besohet se janë depozituar një numër i madh pjesësh nëndetësesh të gatshme për t’u montuar.

Bazat ajrore

Sovjetikët kanë të paktën gjashtë baza ajrore në Shqipëri dhe të paktën shtatëdhjetë e pesë avionë gjuajtës MIG 21. Baza e shtatë ajrore sovjetike po ndërtohet në Ishëm pranë Tiranës. Personeli sovjetik prej rreth 4000 ushtarakësh e teknikësh furnizohen me dërgesa të rregullta ajrore dhe detare nga portet e Burgas dhe Konstanca. Avionët MIG 21 raportohet se bëjnë patrullime të rregullta, dhe dy avionë nga skuadronet janë gjithnjë në ajër. Sovjetikët kërkojnë siguri ajrore 24-orëshe.

Patrullat e tyre përqendrohen në brigjet e Shqipërisë dhe kundër objektivave të njohur detarë dhe ajrorë. Sovjetikët kanë përfunduar instilacionet e dy njësive raketore dhe kanë nisur ndërtimin e një pike të tretë raketash balistike. Lëshueset kanë kapacitet të mesëm prej 2500 km. Pikat e lëshimit janë të vendosura pranë Tiranës dhe ekzistenca e tyre është sekret i ruajtur ngushtë. Kohët e fundit numri i avionëve rusë MIG 19 të dislokuar në Shqipëri është shtuar shumë.

Forcat detare

Marina e Shqipëri është përforcuar me shtimin e dy luftanijeve nga Rusia. Për momentin personali sovjetik i tyre nuk është zëvendësuar ende. Sovjetikët kanë premtuar se do të sjellin edhe tre luftanije të tjera për Shqipërinë. Anije sovjetike peshkimi të pajisura me radarë dhe antena elektronike po kryejnë survejime hidrografike në disa pika të detit Mesdhe.

Në të njëjtën kohë këto anije patrullojnë detin Mesdhe dhe mbajnë nën mbikëqyrje Flotën e Gjashtë të SHBA-ve. Anijet ruse të peshkimit po tregojnë shumë vëmendje në ndjekjen dhe survejimin e Flotës së Gjashtë dhe po kryejnë shumë veprime të tjera sekrete përveç përpilimit të hartave. Sovjetikët kanë përforcuar ushtrinë shqiptare me armë të rënda dhe pajisje të fundit elektronike ushtarake.

Aktivitet i konsiderueshëm është dalluar mes misionit ushtarak dhe teknikëve sovjetikë në Shqipëri. Qëllimi i shpenzimeve dhe përpjekjeve të BRSS-së në Shqipëri, është aftësimi për të kontrolluar forcat evropiane ushtarake në brigjet e Afrikës veriore, në zonën e Atlantikut verior dhe në Evropën Perëndimore.

Nëntor 1975

Lideri shqiptar Enver Hoxha duket se po vazhdon sulmet dhe mbikëqyrjen ndaj intelektualëve dhe burokratëve të vendit. Mahmut Bakalli, presidenti i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës në Jugosllavinë fqinje, tha se ka pasur “zhvendosje të mëdha politike në administratën e Shqipërisë”.

Bakalli, i cili është më i afërt me ngjarjet në Shqipëri nga sa mund të jenë njerëzit jashtë saj, tha se sulmet mbi intelektualët vijnë si rezultat i frikës së Hoxhës nga tendencat pro-sovjetike të disa zyrtarëve në Tiranë, dhe se zhvendosjet ende po vazhdojnë në qeveri dhe në sferat ekonomike të vendit.

Raportimet për spastrimet e zyrtarëve në Shqipëri tani kanë arritur te mediat evropiane. Heshtja e Tiranës për largimet bën që të shtohen edhe më shumë spekulimet e vendeve, por duket e qartë se ato kanë lidhje që me shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku në verën e 1974.

Largimi i tij ndodhi mes shenjave në rritje për përplasje brenda partisë, mes komunistëve të linjës së ashpër në Shqipëri dhe në politikën e jashtme, dhe atyre për një qëndrim më të moderuar.

Bakalli dukej i bindur se spastrimet e kësaj vere vinin nga debati i planifikimit ekonomik dhe tregtisë së jashtme. Dy nga zyrtarët e spastruar ishin ministri dhe zëvendës-ministri i tregtisë. Bakalli tha se nevoja e Shqipërisë për kapitale do ta detyrojë Tiranën të shikojë nga Perëndimi, por deri tani nuk ka pasur shenja se Hoxha dhe regjimi i tij janë të interesuar për këtë.

Tirana vazhdon të ruajë linjën stoike të refuzimit të bashkëpunimit me Moskën. Ndërsa në Moskë, parada e sivjetshme ushtarake e Sheshit të Kuq, nuk përfshiu mjetet me raketat e mëdha që janë parë zakonisht në të kaluarën.

SHBA-ës ka vëzhguar dy prova të përgjithshme të paradës dhe kemi konstatuar vetëm gjysmën e pajisjeve dhe asnjë nga mjetet e mëdha të para në vite të shkuara. Provat zakonisht përputhen qartë me vetë paradën kryesore, edhe pse ka ndodhur që në paradën e përvitshme të 7 nëntorit, janë prezantuar pajisje të tjera, të pa para gjatë provave.

Nëse pajisjet e mëdha janë eliminuar nga parada, kjo mund të tregojë se Kremlini kërkon të ulë profilin e festimeve dhe shfaqjes së forcës, që është në përshtatje me programin aktual “të paqes”, prek konferencës së Helsinkit.

Vitin e kaluar pjesa mbyllëse me civilë e paradës u anulua papritur, zyrtarisht prej motit të keq, por me shumë gjasa për të mbrojtur shëndetin e liderëve të moshuar sovjetikë në podium. Prandaj dhe dominimi i pjesës ushtarake të saj solli dënimin e shtypit perëndimor dhe rrjedhimisht edhe survejimin më nga afër të paradës së këtij viti.

Por ndoshta për reduktimet e shfaqjeve ushtarake të këtij viti, mund të ketë pasur dhe arsye më pak të rëndësishme siç është mbrojtja e rrugëve të bulevardeve që janë shtruar së fundmi.Memorie.al

Pas amnistisë nga Berisha të 1997, Fatos Nano u shpall i pafajshëm dhe u zhdëmtua me 78 milionë lekë

Pas fitores së Partisë Demokratike më 22 Mars 1992, më 30 korrik 1993 lideri i PS Fatos Nano u arrestua dhe u burgos me akuzën për korrupsion dhe abuzim detyre. Burgosja e tij u be problemi kryesor i Shqipërise post komuniste, sepse shumë socialistë besonin se kjo burgosje ishte shkase e opozicionit të Nanos ndaj qeverisë së Berishës, që kshte vetëm një vit që kish ardhur në pushtet.

Trashëgimtarja e Partisë së Punës ishte PS e cila konvertoi vetëm emrin por nuk u distancua kurrë nga krimet e diktaturës komuniste si krime kundër njerëzimit edhe sot pas 36 vitesh tranzicion.

Gjatë vitit 1994 në Shqipëri mbinë skemat piramidale dhe rënia e tyre në vitin 1997 shkaktoi një revoltë të armatosur të nxitur nga opozita kundër qeverisë me kërkesën për kthimin e parave të humbura në firmat piramidale. Kjo revoltë që u shoqërua me rënien e shtetit, ishte si luftë civile dhe u konsiderua “Revolucion i vonuar”, që nxori nga burgjet dhe e dëmshpërbleu dhe e rehabilitoi kastën e vjetër të nomenklaturës. Pas një amnistie nga Berisha më 1997, që asaj kohe ishte president u liruan nga burgjet gjithë zyrtarët e lartë të regjimit komunist duke nisur nga Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha etj. Midis tyre doli nga Burgu i Bënçës edhe Fatos Nano, i cili nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të qershorit 1997 u emërua kryeministër i Shqipërisë nga presidenti Rexhep Mejdani.

Ndërkohë drejtësia e vendosur pas tmerrit të 1997 i rehabilitoi ata që ishin arrestuar dhe burgosur gjatë qeverisjes së PD, që ishte qeveria e parë demokratike pas gati gjysmë shekulli diktaturë. Fatos Nano u shpall i pafajshëm dhe për tre vite e tetë muaj burg u zhdëmtua me 78 milionë lekë të vjetra, dmth për çdo muaj nga rreth 1 milionë e 800 mijë lektë të vjetra. Flasim për vitin 1997, kur rrogat e zyrtarëve më të lartë të shtetit shkonin rreth 4-5 qind mijë lekë të vjetra.

Ndërkohë lind pyetja legjitime se përse familje e të persekutuarve, të gjithë të pafajshëm nuk u zhdëmtuan me të njëjtin standart?

A kemi të drejtë të themi se viktimat e diktaturës janë persekutuar edhe këta 36 vjet tranzicion.

 

Burimi Lajme Arkiva – TV Klan 2001 Kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano, do të shtojë në xhepin e tij brenda pak ditësh së bashku me avokatin, 78 milion lekë të vjetra. Gjykata e Tiranës, i ka dhënë të drejtën sot liderit të mazhorancës socialiste, për t’u dëmshpërblyer për çdo ditë qëndrimi të tij në burgun e Bënçës. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Martin Deda, ka pranuar kërkesën e tij, duke urdhëruar Ministrinë e Financave që t’i japë Nanos shifrën e kërkuar prej tij. Nga shuma e përgjithshme, pesë milion lekë të vjetra do të shkojnë në xhepin e mbrojtësve të Nanos, në procesin e viti 92, ku ai u dënua për vjedhje dhe shpërdorim detyre, por që më pas mori pafajësinë. Vendimi në fjalë erdhi pas kërkesës së bërë nga zoti Nano, i cili pas shpalljes si i pafajshëm kërkoi të dëmshpërblehej. Pas kësaj, Nano do të pres vetëm veprime teknike për të shtuar në xhepin e tij 73 milion lekë të vjetra./tvklan.al Gazetar – Patrik Sadikaj

Pushkatimi i 22 intektualëve- Vendimi nr.64 dhe dënimi i Zyhdi Herrit një ditë pas vrasjes! Unaza u kthye nga toka pas 43 vitesh

Zyhdi Herri ishte një i ri tiranas, intelektual, jurist dhe gazetar, i formuar në vitet kur Shqipëria përjetonte pushtimin fashist.

Zyhdi Herri lindi në vitin 1921 në Tiranë, në një familje të njohur të kryeqytetit. Ishte pjesë e një brezi të ri shqiptarësh që po shkolloheshin, po njihnin idetë moderne dhe po përballeshin me një realitet politik që ndryshonte me shpejtësi. Në vitet e rinisë ai studioi në Liceun francez të Korçës, një prej institucioneve më të rëndësishme arsimore të Shqipërisë së kohës. Korça ishte atëherë një prej qendrave kryesore të arsimit dhe kulturës shqiptare. Në mjedisin e liceut, të rinjtë njiheshin me kulturën evropiane, me gjuhët e huaja, me mendimin modern dhe me një botë që shkonte shumë përtej kufijve të Shqipërisë së vogël të viteve ’30. Ai ishte pjesë e asaj rinie që besonte te arsimi, te kultura dhe te një e ardhme tjetër për Shqipërinë.

Studimet në Liceun francez të Korçës dhe më pas në Tiranë i dhanë formimin e një intelektuali të kohës. Por jeta e tij do të ndërpritej dhunshëm në moshën vetëm 30-vjeçare. Në prag të pushtimit italian të Shqipërisë, Zyhdi Herri ishte ende student. Ai mori pjesë në demonstratat antifashiste që zhvilloheshin në Korçë dhe në Tiranë. Për këtë arsye, në vitet 1939–1940 u përjashtua nga shkollat e Perandorisë Italiane. Për një të ri që e kishte lidhur të ardhmen e tij me arsimin, ky ishte një ndëshkim i rëndë. Megjithatë, Herri nuk hoqi dorë nga studimet. Më vonë vazhdoi rrugën e tij arsimore dhe studioi jurisprudencë në Siena të Italisë. Formimi juridik do të ishte një pjesë e rëndësishme e profilit të tij intelektual. Por, krahas jurisprudencës, ai do të lidhej ngushtë edhe me gazetarinë dhe shtypin, një fushë në të cilën do të punonte pas Luftës së Dytë Botërore.

PREJARDHJA FAMILJARE SI AKUZË

Pas përfundimit të luftës, Zyhdi Herri nisi punë në gazetën “Bashkimi”, ku mori edhe detyrën e kryeredaktorit. Ishte një periudhë kur shumë intelektualë shqiptarë besonin se përfundimi i luftës do të sillte një rend të ri politik, më shumë të drejta dhe mundësi për një shoqëri më të drejtë. Edhe Herri, sipas dëshmive të familjarëve dhe kujtimeve të përcjella më vonë, shpresonte se premtimet për liri dhe të drejta demokratike do të bëheshin realitet. Por zhvillimet politike të pasluftës sollën një realitet krejt tjetër. Regjimi i ri filloi të ndërtonte mekanizmat e një shteti totalitar. Kundërshtarët politikë, intelektualët e pavarur, familjet e njohura dhe njerëzit që konsideroheshin të papërshtatshëm për pushtetin u vunë gradualisht nën presion. Në këtë klimë, edhe e kaluara familjare mund të shndërrohej në një “faj”. Zyhdi Herri ishte i biri i Xhemal Herrit, i cili ishte konsideruar si mbështetës i Legalitetit.

Kjo rrethanë do të përdorej më vonë kundër tij. Në dokumentet e asaj kohe, ai paraqitej si person me prejardhje të papërshtatshme politike dhe si intelektual që kishte mbajtur qëndrim armiqësor ndaj pushtetit. Fakti që kishte punuar në shtypin e kohës dhe kishte pasur një rol në një gazetë që mbështeste pushtetin e ri nuk e shpëtoi. Përkundrazi, në atmosferën e terrorit politik, një intelektual i formuar jashtë kornizës së Partisë Komuniste mund të bëhej lehtësisht objekt dyshimi. Më 20 shkurt 1951, policë të armatosur shkuan natën në shtëpinë e familjes Herri në Tiranë. Në shtëpi ndodheshin edhe gruaja dhe dy fëmijët e vegjël të Zyhdiut. Sipas dëshmisë së familjes, fëmijët ishin rreth tre vjeç dhe një vjeç. Arrestimi u krye para syve të tyre. Në kujtesën familjare ka mbetur momenti kur Zyhdi Herri u përpoq të qetësonte bashkëshorten dhe i tha se nuk kishte bërë asgjë dhe se do të kthehej shpejt. Por nuk u kthye më. Pas arrestimit, familja nisi të kërkonte informacion. U përpoqën t’i çonin ushqime dhe rroba, por përgjigjet e autoriteteve ishin mohuese. Më pas erdhi lajmi i tmerrshëm: Zyhdi Herri ishte pushkatuar. Ai ishte vetëm 30 vjeç.

TERRORI PAS BOMBËS NË AMBASADËN SOVJETIKE

Pushkatimi i Zyhdi Herrit ndodhi në kuadër të represionit që pasoi incidentin me bombën në ambasadën sovjetike në Tiranë më 19 shkurt 1951. Ngjarja u përdor nga regjimi për të ndërmarrë një valë arrestimesh dhe ekzekutimesh ndaj personave të konsideruar kundërshtarë politikë. Mes të vrarëve ishte edhe Zyhdi Herri. Sipas dokumentacionit të cituar për rastin e tij, një ditë pas vdekjes, më 27 shkurt 1951, Gjykata e Lartë Ushtarake dha vendimin nr. 64, duke e dënuar me vdekje me akuzat për pjesëmarrje në një “organizatë terroriste”, shërbim ndaj “spiunazhit imperialist”, propagandë kundër pushtetit dhe nxitje lufte. Ky fakt e bën rastin edhe më të rëndë, vendimi gjyqësor që e dënonte me vdekje ishte dhënë pasi ai ishte vrarë. Zyhdi Herri u pushkatua së bashku me një grup të dënuarish të tjerë, në atë që sot njihet si një nga episodet më të rënda të represionit komunist të vitit 1951. Mes viktimave ishte edhe shkencëtarja Sabiha Kasimati. Për familjet e tyre, për dekada me radhë nuk pati një varr ku të mund të vendosnin lule, të ndiznin një qiri apo të kryenin një ceremoni mortore. Të ekzekutuarit u varrosën në një varr të përbashkët në periferi të Tiranës. Familjarët nuk e dinin saktësisht se ku ndodheshin eshtrat e njerëzve të tyre. Heshtja ishte pjesë e dënimit.

FAMILJA, VIKTIMË E DYTË E REPRESIONIT

Zyhdi Herri u pushkatua më 26 shkurt 1951, pa gjyq, me pretekst të ashtuquajturin incident në ambasadën sovjetike. Një ditë pas vdekjes, më 27 shkurt, Gjykata e Lartë Ushtarake e dënoi, me vendim nr. 64, si «pjesëmarrës në organizatë terroriste, për hyrje në shërbim të spiunazhit imperialist, për propagandë kundër pushtetit dhe për nxitje lufte», me vdekje, pushkatim, me humbjen e të drejtave civile të përhershme dhe me konfiskimin e gjithë pasurisë të tundshme e të patundshme. Por tragjedia e familjes Herri nuk përfundoi me pushkatimin e Zyhdiut. Vetëm pak ditë më pas, familja u internua. Dëshmia e vajzës së tij, Brunhildes, e përcjellë vite më vonë, është një nga rrëfimet më të dhimbshme për atë që përjetuan familjet e të pushkatuarve.

Ajo ishte ende fëmijë. Kujtesa e saj ruajti jo argumentet politike të regjimit, por pamjet e natës kur njerëz të armatosur hynë në shtëpi, frikën e nënës, fëmijët e vegjël, rrëmujën e krijuar dhe largimin e babait. Më pas erdhi udhëtimi drejt internimit. Familja u transportua në kushte të rënda. Në kujtesën e saj mbeti karroceria e hapur e kamionit, shiu i ftohtë i shkurtit dhe rrugët e Tiranës në një natë terrori. Ata u dërguan në Vlorë. Për familjen, arrestimi i kryefamiljarit ishte kthyer tashmë në një dënim kolektiv. Për shumë vite, vendndodhja e varrit të përbashkët mbeti e panjohur. Vetëm pas ndryshimeve politike të viteve ’90 u krijua mundësia që të kërkohej më seriozisht vendi ku ishin varrosur viktimat. Në vitin 1994, dëshmitë e banorëve të zonës së Menikut, pranë Urës së Beshirit, ndihmuan në identifikimin e vendit. Dëshmitë e banorëve flisnin për një gropë të hapur paraprakisht dhe për transportimin e të burgosurve gjatë natës. Më pas nisën kërkimet dhe zhvarrosja. Ishte momenti kur familjet, pas më shumë se katër dekadash, mundën të përballeshin me një të vërtetë që regjimi kishte dashur ta mbante të fshehur.

UNAZA QË U KTHYE NGA TOKA

Një nga detajet më prekëse të historisë së Zyhdi Herrit është gjetja e unazës së martesës. Gjatë identifikimit të eshtrave, familjarët gjetën një unazë që lidhej me Zyhdi Herrin. Për vajzën e tij, ajo unazë u bë më shumë se një send personal. U bë një lidhje materiale me babanë që ia kishin marrë kur ishte ende fëmijë. Një objekt i vogël, i mbetur nga një jetë e ndërprerë dhunshëm, ishte kthyer nga toka pas dekadash. Në kujtesën familjare, kjo unazë mbeti një amanet. Zyhdi Herri ishte pjesë e një brezi intelektualësh shqiptarë që u formuan në vitet ’30, përjetuan pushtimin fashist, u përfshinë në jetën politike e shoqërore të kohës dhe më pas u përballën me një sistem të ri që nuk toleronte pavarësinë e mendimit. Ky brez jetoi dy përmbysje të mëdha historike. Fillimisht pushtimin dhe luftën.

Më pas vendosjen e një sistemi totalitar. Shumë prej tyre kishin besuar se pas luftës do të ndërtohej një Shqipëri më e lirë dhe më demokratike. Por realiteti politik u zhvillua në drejtim tjetër. Për disa, rruga përfundoi në burgje. Për të tjerë në internim. Për disa në ekzekutim. Zyhdi Herri ishte ndër ata që nuk patën mundësinë të shihnin se si do të zhvillohej më tej vendi që kishin dashur ta ndërtonin. Rasti i Zyhdi Herrit është pjesë e kujtesës së viktimave të terrorit komunist në Shqipëri. Ai është një histori për një intelektual të ri, i cili u arsimua, u përfshi në jetën publike, punoi si gazetar dhe besoi se pas luftës Shqipëria mund të ndërtonte një shoqëri me më shumë liri. Në vend të kësaj, ai u arrestua, u ekzekutua dhe u dënua zyrtarisht edhe pasi ishte vrarë.

/Gazeta Panorama 

23 gushti 1990, dita e vrasjeve në kufi Nga Kastriot Dervishi

23 gushti 1990, dita e vrasjeve në kufi

Në orët e para të mëngjesit të datës 23.8.1990, disa rinj nga Korça bashkë me shokë të tjerë nga Erseka iu drejtuan kufirit me Greqinë në postën famëkeqe kufitare të Rehovës. Njësiti i postës i qëlloi me aŕmë zjarri. Si pasojë, u vránë:

-Petrit Bashkim Ajdini nga Korça, 26 vjeç

-Artur Xhevahir Kërcelli nga Korça, 25 vjeç

-Niko Stefan Joti nga Erseka, 24 vjeç

-Safet Irfan Rrapo nga Erseka, 31 vjeç

U arrestua Avni Sami Rumi, 27 vjeç nga Kolonja, i cili u dënua me 4 vjet heqje lirie. Realizoi arratisjen vetëm Pandush Thanas Nica, 29 vjeç nga Korça.

Trupi i s u gjet më vonë pasi kishte marrë edhe dëmtimet e rënies nga shkëmbi. Kufomát iu kthyen familjeve. Ceremonia e varrimit të Petritit dhe Arturit në Korçë, u kthye në një demonstratë të fuqishme antikomuniste. U ndaluan 12 persona. U zhvilluan disa procese gjyqësore.

Fotoja nga ngjarja

Dokumentet sekrete Sarajevo Safari: Vuçiç i përfshirë në ‘gjahun e njerëzve’ gjatë rrethimit të Sarajevës

Gazetari kroat Domagoj Margetiq ka publikuar dokumente të cilat, sipas tij, janë pjesë e dokumentacionit të brendshëm dhe sekret të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës që lidhen me rolin e Aleksandar Vuçiqit në Rrethimin e Sarajevës.

Në qendër të materialit është një dokument i datës 17 shkurt 1995, i lidhur me përpunimin operacional të koduar “Lovac”, apo “Gjuetari”.

Dokumenti i atribuohet Nedžad Ugljenit, atëherë drejtues i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës.

Sipas përmbajtjes së dokumentit të publikuar nga Margetiq, Ugljeni e identifikon Aleksandar Vuçiqin, i cili në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe në Beograd, si personin që koordinonte ardhjen e shtetasve të huaj në pozicionet e snajperëve nga ku, sipas dokumentit, qëllohej ndaj civilëve në Sarajevë.

Në dokument thuhet se, pas bisedave me disa persona lidhur me ardhjen e “gjuetarëve të huaj” për të qëlluar njerëz nga pozicionet e snajperëve në Grbavicë dhe Varrezat Hebraike, kontaktet operative kishin siguruar informacione që Shërbimi i konsideronte të besueshme.
Image“Personi që koordinon aktivitetet e sjelljes së gjuetarëve të huaj në Grbavicë dhe që i shoqëron ata në pozicionet nga të cilat qëllohet mbi civilët në Sarajevë është sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe në Beograd, Aleksandar Vuçiq”, thuhet në dokumentin e publikuar.

Në material thuhet gjithashtu se Vuçiq kalonte kufirin dhe lëvizte në territorin nën kontrollin e forcave serbe të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas dokumentit, në pikat e kontrollit ai identifikohej me një legjitimacion të rezervistit të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.

Image
Sipas dokumentit, ky legjitimacion ishte lëshuar nga Frenki Simatoviq, atëherë zëvendësdrejtor i DB-së së Serbisë.

Aty theksohet se aktivitetet e Vuçiqit në lidhje me ardhjen e “gjuetarëve të huaj” në Grbavicë dhe në Varrezat Hebraike kishin vazhduar edhe pasi ai ishte kthyer në Beograd dhe ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe.

Në atë periudhë, sipas dokumentit, ai ishte edhe deputet në Kuvendin e Serbisë.

Image
Pikërisht për shkak të këtyre të dhënave, dokumenti thotë se përpunimi operacional ndaj personit vazhdonte nën emrin “Lovac” – “Gjuetari”.

Sektorët ku zhvilloheshin veprimtaritë

Një pjesë e veçantë e dokumentit përshkruan edhe mënyrën se si, sipas informacioneve të kontakteve operative të SDB-së, ishin organizuar pozicionet për “gjuetarët e huaj”.

Sipas materialit, ndarja në sektorë u mundësonte të huajve që merrnin pjesë në këto aktivitete të zgjidhnin pozicionin nga i cili do të qëllonin.

Dokumenti i përshkruan këto aktivitete si “gjueti njerëzish”, ndërsa Margetiq i referohet atyre si “safari njerëzore me snajper”.

Ugljeni mblidhte informacion pavarësisht ndalimit të hetimeve

Sipas Margetiq, Nedžad Ugljeni kishte vazhduar të dokumentonte informacionet që merrte nga burimet dhe kontaktet operative lidhur me këto aktivitete, pavarësisht një ndalimi zyrtar për zhvillimin e hetimeve.

Image
Informacionet e mbledhura regjistroheshin në dokumente të brendshme me qëllim që të mbetej gjurmë për atë që po raportohej nga burimet operative.

Dokumenti i datës 17 shkurt 1995 përfundon duke e paraqitur Vuçiqin si person me rol të rëndësishëm në organizatën që, sipas informacioneve të kontakteve operative, sillte “gjuetarë të huaj” në pozicionet e kontrolluara nga forcat serbe.

Çfarë ndodhi me dokumentet pas vrasjes së Ugljenit?

Një pjesë tjetër e materialit të publikuar nga Margetiq lidhet me fatin e dokumentacionit të Nedžad Ugljenit pas vrasjes së tij në vitin 1996.

Sipas gazetarit kroat, pas vrasjes së Ugljenit ishte urdhëruar shkatërrimi i dokumentacionit të tij.

Sipas këtij versioni, nuk pati dorëzim formal të zyrës së tij dhe as procesverbal për materialet që u gjetën aty pas vrasjes.

Image
Margetiq thekson se dokumentacioni i gjetur në zyrën e Ugljenit u zhduk. Megjithatë, sipas tij, Ugljeni kishte parashikuar rrezikun dhe kishte ruajtur kopje të një pjese të madhe të dokumenteve në disa vende.

Në veçanti, sipas tij, kopjet përfshinin shënime dhe informacione të brendshme që ai kishte mbledhur gjatë punës së tij.

Dokumentet e publikuara nga Domagoj Margetiq, ngrenë pretendime serioze për përfshirjen e Aleksandar Vuçiqit në organizimin e ardhjes së të huajve në pozicionet e snajperëve gjatë Rrethimit të Sarajevës.

The GeoPost

Arkiv i Voal.ch – 24.08.2014 JA SI U DËMSHPËRBLYEN BYROISTËT NGA QEVERITË SOCIALISTE Nga MIRA KAURI, anëtare e kryesisë së Gruaja Demokratike, Durrës, PDSH

JA SI U DËMSHPËRBLYEN BYROISTËT NGA QEVERITË SOCIALISTE
Nga MIRA KAURI, anëtare e kryesisë së Gruaja Demokratike, Durrës, PDSH

E Djelë, 08.24.2014, 10:10am (GMT+1)

Duke pare qe postimi im i djeshem mbi demshperblimin e ish te perndjekurve ngriti mjaft polemika jam e detyruar te bej disa sqarime . Se pari qe ne vitin 1992 Presidenti Berisha si dhe qeveria Meksi vendosen si paresore ndihmen ndaj kesaj shterese teper te vuajtur (te vuajtur eshte pak, me mire te martirizuar) te shoqerise sone nga regjimi i pa pare diktaktorial . Keshtu te gjithe ish te perndjekurve dhe familjeve te tyre ju dha nje demshperblim monetar modest (ato ishin mundesite e qeverise ne ato vite), ju dha prioritet ne privatizimet, ne strehim per aq sa qe e mundur, si dhe u be e pamundura duke ndihmuar femite e tyre per shkollim si brenda dhe jashte vendit. Ne 2005 Qeveria e Kryeministrit Berisha rihapi ligjin ( lene ne harese nga qeverite paraardhese) e demshperblimit i ndare ne tete keste. Me sa di te gjithe ish te perndjekurit dhe trashegimtaret e tyre plotesuan dokumentat sipas udhezimit dhe keshtu u be e mundur qe gjate 2005-2013 u shpernda kesti i pare dhe i dyte per te gjithe. Sigurisht do te kete pasur ndonje vonese ose mosmarreveshje, ose tek e fundit dhe ndonje punonjes jo korrekt, por se fundi u realizua dhe kesti i dyte. Pra ngelen dhe 6 keste te tjera, por ministri dje u nxitua dhe tha se nuk ka me keste!!!. Per te rregulluar ministrin doli Rama dhe tha se: “do te marrin demshperblimin te gjithe ata qe jane gjalle” (me sa kuptova e kishte fjalen per ata qe kane vuajtur burgjet in prima persona). Prap pune e ngateruar. Ata qe jane gjalle ta marrin dhe do te ishte nje mrekulli, por si t’ ja bejme se shumica kane vdekur , po familjet e tyre – trashegimtaret tashme dhe mbi 70 vjec pak kane vuajtur, kane jetuar fundin e ferrit mes mundimesh dhe vuajtjesh te papershkrueshme, vertete jashte burgjeve por ne internime, te privuar nga c’do e drejte ne burgun e madhe me emrin Shqiperi . Atehere perse duhet ndryshuar ligji!!!, perkundrazi mendoj se duhej vazhduar sic ishte nisur. Jane pra dhe 6 keste per tu ndare. Dhe dulces in fundum detyrohem te sqaroj per ata qe bejne sikur nuk e dine se per vitet 1998-2005 te qeverive Nano,Majko, etj jane demshperblyer menjehere dhe me shifer te plote vetem keta persona “teper te persekutuar”!!!!!!! listen e te cileve po ja u botoj ketu ……..
MIRA KAURI

“Përballë shqiptarëve të Plavës, Gucisë, Rugovës e Gashit të udhëhequr prej prijësit të tyre Ali Pashë Gucia, miti i trimërisë malazeze”- Dokumentet e panjohura austro-hungareze

 

Nga Eugen SHEHU*

Ka qenë vjeshta e vitit 1879, kur analistët shqiptarë të Plavës, Gucisë dhe Rugovës, ndjenë erërat e luftërave. Ndërsa për malazezët këto luftëra grishnin për territore të reja jugore, për shqiptarët ato ishin guri i provës së madhe: do të linin fqinjët e tyre të vjetër e dinakë t’u shkelnin vatrat, apo do të ruanin të paprekur ëndrrat dhe trojet e tyre stërgjyshore?

Nëse shqiptarët e këtyre malësive zgjodhën të dytën, tek e mbramja ata dëshmuan dimensionin e lirisë së fituar me çdo çmim, përballë turpit kombëtar.

Pushkët e para midis dy fqinjëve ranë në vjeshtën e dytë, ndërsa krismat e fundit u dëgjuan të lodhura në prillin e vitit 1880. Betejat kishin qenë të rrepta, madje deri në kufijtë irealë të goditjes së dy kundërshtarëve.

 

Shirat e borërat e motit të ftohtë nuk mund të fshihnin gjakun e derdhur prej malazezëve dhe shqiptarëve. Është pak të quhet kob. Madje popujt e të vendeve e pagëzuan këtë dimër me një simbol tejet ngjethës: “Dimri i gjakut”! Kokëfortësia e lashtë ballkanike nuk do të kursente mijëra jetë njerëzish, që me gjakun e tyre bënë që përrenjtë e maleve të rridhnin gjak në vend të ujërave të dëborave.

Në këtë dimër tragjik, për mijëra luftëtarë shqiptarë kishte një burrë që bënte dritë si vetëtima, kishte një zjarr që largonte shpirtrat e marrë, tek e mbramja kishte një shpresë që nuk fikej ndër luftëra. Ky ishte trimi dhe burri Ali Pashë Gucia. Po cili ishte ky vigan i trevave më veriore të Shqipërisë?

Ai ka lindur në Guci, në prag të vitit 1820, në derën e përmendur shpesh të Shabanagajve. I ati i Aliut, Hasani, për dhjetë vjet me radhë ka qenë kapedan i Gucisë dhe i shquar për trimërinë e tij. Me ndjenjën e atdhedashurisë, ai do të rriste të vetmin djalë të tij, Aliun, duke synuar edhe shkollimin ushtarak të të birit. Përgjithësisht, karakteri i Ali Pashë Gucisë formohet nëpër mjediset e ashpra të vendlindjes, ku fjala e burrave në kulla ishte disa herë më e rëndë se vetë pesha e plumbit.

Ndërkohë kryen studimet ushtarake, ku veçmas bien në sy prirjet e tij ndaj parimeve të luftërave popullore, larg akademizmave pedante të teorive osmane. Thellësisht i ndërgjegjshëm për luftërat e zhvilluara prej të parëve tanë, fitoret dhe humbjet e tyre, mendimi i tij teorik vendoset në terrenin konkret shqiptar, në armatimin dhe psikologjinë e popullit të Plavës, Gucisë e Rugovës.

Në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar, (shekulli XVIII-të), është kajmekan i Gucisë. Autoritar dhe i vëmendshëm ndaj rrjedhës së ngjarjeve, mundi të grumbullojë rreth vetes një grusht njerëzish të pasur e të ndershëm, për të cilët ruajtja e tërësisë territoriale ishte gjithçka. Edhe pse nën trojet osmane, popujt e vegjël të Ballkanit po zgjoheshin. Në këtë zgjim, ndërsa shqiptarët i mbanin sytë tek kufijtë e tyre, të tjerë fërkonin sytë të mahnitur prej ëndrrave shovene.

Kujaz Darulloja, duke vërejtur se sytë dhe veprimtaria e shqiptarëve të Veriut po drejtoheshin përherë e më tepër drejt autonomisë, dërgon në Guci forca të shumta malazeze nën komandën e Serdar Piletiqit. Ky, i përkrahur edhe nga fisi i madh i Vasojeviqëve, nisi menjëherë represionin në fiset shqiptare, duke u përpjekur t’u vërë fre revoltave. Pikërisht këtë moment shfrytëzon Ali Pashë Gucia. Ai organizon punën me miqtë e tij dhe, së bashku me Plavën, Gucinë dhe Rugovën, u bënë thirrje edhe Krasniqit dhe Gashit, të cilët iu përgjigjën menjëherë.

Falë aftësive ushtarake të tij, Ali Pashë Gucia tërheq trupat e Serdar Piletiqit në disa gryka gati të frikshme dhe aty i godet si vetëtima, duke u shkaktuar humbje të mëdha. Forcat malazeze tërhiqen për t’iu rikthyer sërish viseve shqiptare në vitet 1856-1858. Por tanimë repartet e vetëmbrojtjes së Plavës e Gucisë, nën komandën e Ali Pashë Gucisë, dinë se si t’i presin fqinjit lakmitarë. Duke luftuar trimërisht për vatrat dhe vendet e tyre, trimat e këtyre trevave, njëherazi ishin frymëzues të krejt shqiptarëve, jo vetëm për të ruajtur trojet etnike, por edhe për mbajtjen gjallë të shpresës për një autonomi e mëvetësi të Shqipërisë.

Përballë këtij qëndrimi prej shqiptari të ndershëm, natyrisht që nuk mund të heshtë Porta e Lartë e Stambollit. Mesazhe të shumta vijnë prej andej, duke porositur Ali Pashë Gucinë se duhej të ndryshonte qëndrimin ndaj Perandorisë dhe jo të shpërfillte besimin e saj. I pajisur me virtyte të vyera në karakter, trimi i Gucisë gjen rastin dhe në një kuvend midis burrash shprehet: “Më kanë ardhur haberet se Sulltani më quan tradhtar. Nuk e njoh veten për të tillë. Po në qoftë se deri më sot i kam shërbyer me shpirt Sulltanit, tash e tutje do t’i shërbej vetëm Shqipërisë”.

Lëvizjet e atdhetarëve shqiptarë në agoninë e të “sëmurës së Bosforit”, tanimë ishin të plota: politike, diplomatike, ushtarake. Kulmi ishte dhe mbeti Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila për nga detyra që shtroi dhe problemet që zgjidhi, u bë një pikë referimi për të tjera ngjarje kulmore të Shqipërisë.

Ndërsa Kongresi i Berlinit, i korrikut 1878, inicoi masakrën e madhe për pushtimin e Plavës, Gucisë dhe Rugovës prej Malit të Zi, ishte pikërisht shtabi madhor i Lidhjes së Prizrenit, i cili më 22 gusht të po këtij viti, deklaron: “Nuk do të njihet asnjë ndryshim i kufirit në Malin e Zi pa pjesëmarrjen…..e krerëve të Lidhjes së Shqiptarëve dhe pa u miratuar vendimet e tij nga gjithë Shqipëria”. (Historia e Shqipërisë, Vëllimi i dytë, faqe 234).

Ditët e para të dhjetorit të vitit 1873 do të shënonin konfrontimin e parë të madh midis forcave malazeze dhe atyre shqiptare. Mbi 10 mijë trupa malazezë të komanduara prej Mark Milanit, futen në drejtim të Plavës, duke kontrolluar disa lartësi tepër strategjike. Sidoqoftë, Ali Pashë Gucia, duke ditur qëllimet e armiqve, organizon disa prita në shpatet e maleve të Stereqit dhe Vixiterit, pothuaj të padukshme, duke e joshur kundërshtarin të kërkojë e të futet sa më thellë në trojet shqiptare.

Në kulmin e betejës, atëherë kur malazezët kërkojnë përforcime, Ali Pashë Gucia shkatërron me disa luftëtarë edhe Urën e Rozhanicës, duke ndërprerë përfundimisht komunikimin e armiqve mes veti. Kësisoj, fitorja fliste vetëm për shqiptarët. Por, natyrisht, këta ishin udhëhequr nga strategu ushtarak Ali Pashë Gucia.

Kuptohet, me rrjedhën e këtyre ngjarjeve, nuk mund të pajtoheshin as Edreneja dhe as Knjaz Nikolla. Tashmë Lidhja Shqiptare kishte fituar popullaritetin e vet. Me caktimin e Ali Pashë Gucisë si komandant të shtabit ushtarak të Prizrenit (në atë kohë Plava e Gucia ishin krahina të Vilajetit të Kosovës), trimat e këtyre trevave fituan siguri në veprimet e tyre luftarake.

Dhe kjo u duk sidomos në betejat e paprera të “dimrit të gjakut”, siç u quajt periudha dhjetor 1879 – prill 1880. Intuita dhe njohuritë ushtarake të kryekomandantit shqiptar Ali Pashë Gucia, u ndërthurën me besën dhe trimërinë e malësorëve shqiptarë, duke çuditur me fitoret e tyre jo vetëm ushtarët e mjerë malazezë, por krejt Europën. Janë të shumta betejat (sidomos ajo në frontin Andrejeviq – Plavë), ku pushkët nuk pushonin së punuari.

Frontet ishin kaq afër, saqë kundërshtarët dilnin nga pozicionet dhe luftonin me njëri-tjetrin me jataganë. E rëndësishme është të thuhet se në të gjitha këto beteja, Ali Pashë Gucia asnjëherë nuk ndenji si komandant madhor që vetëm jep urdhra. Ai drejtoi me zgjuarsi mjaft operacione të ndërlikuara, madje krisma e dyfekut të tij u ndje gati në çdo betejë.

Lidhur me këto luftime, konsulli austro-hungarez në Shkodër, Shumaker, dërgonte këto të dhëna drejt qeverisë së tij: “Vetë malazezët pohojnë se shqiptarët luftuan burrërisht dhe fituan mbi ta…! Fuqia e Lidhjes së Prizrenit e theu atë ushtri malazeze që ka qenë kurdoherë e zonja t’u bëjë ballë forcave turke. Miti i pathyeshmërisë së malazezëve, i trimërisë së tyre, thuajse ishte arratisur përballë gjokseve të bashkuar të shqiptarëve të Plavës, Gucisë, Rugovës e Gashit, të udhëhequr prej prijsit të tyre, Ali Pashë Gucia”. (Nga letrat e diplomacisë austro-hungareze në Shqipëri).

Duke parë se pas “dimrit të përgjakur” mjaft familje shqiptare ishin në mjerim, ky bir i Gucisë shet prona të shumta të trashëguara prej gjyshit dhe babait (ishte trashëgimtar i vetëm) dhe të hollat ua jep familjeve të atyre që ranë në këto beteja, për të mbrojtur tokën arbërore. Natyrisht, nën shembullin e tij vepruan edhe mjaft atdhetarë të tjerë, të cilët mund të falnin gjithçka për Atdheun.

Po aq sa i rreptë me armiqtë shekullorë të Atdheut, edhe dishepull i dhembjes njerëzore, shfaqet Ali Pashë Gucia me fiset e popujt e tjerë që luftërat i mpleksnin. Ai shmang disa konfrontime të boshnjakëve me malazezët, duke dëshmuar kësisoj lirinë dhe paqen. Kësisoj, ai jo rrallë respektohej edhe nga kundërshtarët. Kështu, Vukoviq, dikur ministër i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, duke e njohur nga afër burrin shqiptar shkruan se: “Ali Beu ishte prijës i madh ushtarak dhe trim i rrallë, i cili kishte ndarë mejdanin burrërisht me të atin e tij, kur në paqe kishin respektuar njëri-tjetrin si njerëz”.

Ndërkohë, për rrethana të shumta (që nuk e shohim të arsyeshme t’i analizojmë në këtë shkrim), Lidhja Shqiptare e Prizrenit ra, sidoqoftë ajo shërben si një meteor që ndriçon deri sa të shuhet në qiellin e natës së gjatë shqiptare. Mjaft burra të mençur e trima shqiptarë u burgosën, u dënuan, apo u internuan në brigjet më të largëta të Anadollit. Sulltani i asaj kohe, duke njohur reputacionin e madh dhe personalitetin e Ali Pashë Gucisë, kërkon ta tundojë atë, duke i afruar detyra e grada të larta në hierarkinë ushtarake të kohës. Trimi prej Gucie nuk pranon.

Pas disa muajsh, duke dëgjuar edhe këshillat e miqve të tij atdhetarë, Ali Pashë Gucia pranon ta marrë detyrën e Mytesarifit të Pejës. Peja aso kohe ishte qendër e rëndësishme tregtare dhe vatër e zgjimit kombëtar. Vendosja e Ali Pashë Gucisë në detyrën e Mytesarifit të qytetit dhe rrethinave, do të thoshte zmbrapsje të synimeve serbe për aneksim territoresh…! Por serbët u përpoqën me të gjitha mënyrat për të minimizuar rolin e këtij shqiptari të madh, që për atdheun e vet nuk kursente asgjë.

Gjithsesi, katër vitet që Ali Pasha shërbeu si Mytesarif, dëshmuan për shqiptarizmin e kulluar të tij. Ai luftoi deri në fund për organizimin e shpirtrave kryengritës, si edhe për institucionalizimin e besës shqiptare drejt autonomisë. Pasurinë që pati në Guci, vërtet e shiti, duke derdhur kapitalin për të varfrit, por lidhjet me vendlindjen asnjëherë nuk i shkëputi. Janë të njohura disa organizime ushtarake që ky ndërmori në Plavë e Guci, ndërkohë që kryente detyrën në Pejë. Malazezët do të ndjenin së largu kurdoherë shungullimën e luftërave pas zërit të viganit prej Gucie.

Ka qenë viti 1885, kur një dorë vrastare u ngrit mbi trimin shqiptar. I qëlluar pas krahëve, tradhtisht, në çastin e mbramë ai ka thënë se nëse shpëton, do ta gjejë se kush e ka qëlluar. Por plagët ishin të mëdha dhe Ali Pashë Gucia mbylli sytë nën enigmën e përjetshme të vrasjes. Është krejt e kuptueshme se pas atentatit në rrugët e Pejës, nuk fshihet një person apo një grup i tillë.

Dy perandoritë e mëdha të kohës, Turqia dhe Austro-Hungaria, nuk do të mund të harronin demin e madh që u pat shkaktuar me trimërinë dhe mençurinë e tij Ali Pashë Gucia. Duke zgjedhur rrugën e vrasjes prapa shpine (pavarësisht se kush prej tyre), ato dëshmuan frikën përpara logjikës së këtij trimi.

Në të dalë të Gucisë, të shfaqet menjëherë lumi i Vrujës. Po të kapërcesh atë, nën magjinë e ujërave të kaltër, ndodhesh përpara gërmadhave të sarajeve të Ali Pashë Gucisë. Me vrasjen e trimit, dera e madhe e Shabanagajve mbyllet krejt. Ky ishte pinjolli i fundit i familjes, ky ishte kujtimi dhe krenaria e fundit e fisit. Por në rrethinat e Bradës së Vezirit, janë disa kroje të pashtershme që edhe sot quhen krojet e Ali Pashë Gucisë. Ato rrjedhin e do të rrjedhin përjetësisht me emrin e Aliut në gjoksin e tyre zhurmues.Memorie.al

Nordlys (1971) Shqipëria e izoluar në sytë e Herbert Schmitt: “Tirana, Enver Hoxha dhe turistët e huaj…”

Një qerre me kuaj përshkon «Bulevardin Dëshmorët e Kombit» në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Rruga, e gjatë një kilometër, do të kishte hapësirë për tre ose katër korsi qarkullimi në secilin drejtim, por praktikisht nuk ka fare trafik. (Ass. Press Feature Photo) — Burimi : Nordlys, e martë, 8 qershor 1971, faqe n°11

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Gusht 2026

Gazeta norvegjeze “Nordlys” ka botuar, të martën e 8 qershorit 1971, në faqen n°11, një reportazh të gazetarit Herbert Schmitt, i cili, përmes agjencisë Associated Press, përcjell asokohe përshtypjet e tij mbi Shqipërinë komuniste, jetën në Tiranë dhe marrëdhënien e regjimit me turistët e huaj. Reportazhi, i shkruar në një periudhë kur Shqipëria ndodhej në një izolim të thellë ndërkombëtar dhe ndiqte një politikë të vendosur pro-kineze, ofron një dëshmi interesante mbi mënyrën se si vendi dhe shoqëria shqiptare perceptoheshin nga një gazetar perëndimor në fillim të viteve 1970. Në qendër të vëmendjes së Schmitt-it janë Tirana, jeta e përditshme, standardi i jetesës, zhvillimet ekonomike e arsimore, prania e fortë e propagandës politike, mbikëqyrja ndaj qytetarëve dhe të huajve, si dhe qëndrimi i autoriteteve shqiptare ndaj turizmit perëndimor. Aurenc Bebja e sjell këtë artikull të rrallë për publikun shqiptar përmes blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”.

Koha qëndron e ngrirë në Shqipëri

Nuk dëshiron të huaj pas përvojave të këqija

Një qerre me kuaj përshkon «Bulevardin Dëshmorët e Kombit» në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Rruga, e gjatë një kilometër, do të kishte hapësirë për tre ose katër korsi qarkullimi në secilin drejtim, por praktikisht nuk ka fare trafik. (Ass. Press Feature Photo) — Burimi : Nordlys, e martë, 8 qershor 1971, faqe n°11

Tiranë, (Herbert Schmitt, AP) :

— Shqipëria sapo ka nisur planin e saj të pestë ekonomik pesëvjeçar. Mendimi i parë që i vjen një turisti nga Perëndimi është : Çfarë rezultatesh kanë sjellë katër planet e mëparshme?

Ky vend malor, i ngjeshur midis Greqisë dhe Jugosllavisë, i duket një vizitori perëndimor shumë i prapambetur në shumë fusha. Është sikur koha të ketë ndaluar këtu. Edhe një qytet si Tirana, me 170 000 banorë, duket i paprekur nga koha moderne.

Shqipëria është vendi komunist që, në mënyrë të vazhdueshme, ka mbajtur një linjë pro-kineze, pasi prishja me Bashkimin Sovjetik u bë fakt në vitin 1961.

I fuqishmi i Shqipërisë

Me përjashtim të një grupi të vogël funksionarësh të partisë dhe të shtetit, shqiptarët jetojnë në padije për gjendjen në vendet e tjera. Ata nuk kanë asnjë mundësi ta krahasojnë standardin e tyre të jetesës me atë të kombeve me të cilat do të ishte e natyrshme të krahasoheshin, për shkak se gazetat dhe revistat e huaja janë të ndaluara.

I fuqishmi i vendit, 62-vjeçari Enver Hoxha, qeveris me dorë të hekurt. Kudo ndeshesh me emrin e udhëheqësit të partisë. Përgjatë rrugëve, në disa vende mund të shihen gurë të bardhë të vendosur në mënyrë të tillë që formojnë fjalët «Lav Enver» («Rroftë Enveri»). Emri i tij të shfaqet përpara syve i gdhendur në shpatet e maleve dhe nëpër pankarta.

I vetmi aleat i Hoxhës është Kina komuniste dhe në Tiranë kinezët kanë një ambasadë të madhe dhe mbresëlënëse. Por në rrugët e Tiranës rrallë shihen kinezë me kostume maoiste.

Qytet i madh pa tipare të një qyteti të madh

Rruga kryesore e Tiranës, «Bulevardi Dëshmorët e Kombit», është aq e gjerë saqë, pa vështirësi, mund të zinin vend gjashtë automobila krah për krah. Megjithatë, automjetet shihen rrallë në qytet. Pamjen e rrugëve e dominojnë këmbësorë të veshur me rroba të errëta, qerre me kuaj, si dhe ndonjë automobil ose autobus.

Gjatë shëtitjes përgjatë bulevardit, turisti mund të ndalet i habitur përpara statujës së Stalinit, tre metra të lartë. Ajo i përket periudhës kur marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik ishin në pikën e tyre më të mirë dhe ndoshta është e vetmja statujë e Stalinit që ka mbetur në Evropën Lindore.

Kur u pyet se përse statuja ishte lënë e paprekur, një udhërrëfyes shqiptar u përgjigj me krenari:

— Stalini ishte një burrë i madh. Ne jemi krenarë për këtë monument dhe kemi ndërmend ta ruajmë.

Tirana, pavarësisht parqeve të mirëmbajtura, një kompleksi universitar mbresëlënës dhe rrugëve të pastra, të jep një përshtypje zymtësie dhe mërzie. Vetë shqiptarët janë shumë pak mikpritës ndaj një turisti, të penguar siç janë nga mbikëqyrja e vazhdueshme policore. Kur disa futbollistë gjermanoperëndimorë, të cilët kohët e fundit kishin qenë mysafirë në Tiranë, u përpoqën t’u shpërndanin çokollata dhe portokaj fëmijëve dhe të rriturve që ishin mbledhur jashtë hotelit të tyre, shqiptarët u larguan me shpejtësi.

Tirana gjatë natës nuk është aspak gjallëruese. Trafiku pothuajse nuk ekziston. Vetëm herë pas here mund të dëgjohet një autobus që ndizet diku larg. Ndonjë kalimtar nxiton të kalojë dhe mallrat në vitrinat e dyqaneve janë të pakta. Mund të shohësh një biçikletë të prodhuar në Kinë, me çmim 925 lekë (rreth 540 korona), dhe një karrocë fëmijësh me çmim 400 lekë (rreth 230 korona).

Paga mesatare e një punëtori është 600 lekë.

Përparimet

Kur përfundoi lufta në vitin 1945, 75 për qind e banorëve të Shqipërisë nuk dinin as të lexonin dhe as të shkruanin. Sot, problemi i analfabetizmit thuhet se është pothuajse i zgjidhur, sipas burimeve zyrtare.

Më tej bëhet e ditur se më shumë se 60 për qind e fshatrave shqiptare sot kanë ndriçim elektrik dhe se vendi ka tashmë 10 000 traktorë, krahasuar me vetëm 10 në vitin 1945.

Prodhimi bujqësor ishte rritur me plot 75 për qind nga viti 1965 deri në vitin 1970 dhe, sipas asaj që thuhet, si punëtorët, ashtu edhe fshatarët, kanë sot kushte më të mira jetese se kurrë më parë, pavarësisht bllokadës ekonomike nga ana e Bashkimit Sovjetik.

— Si në kulturë, në shkencë, ashtu edhe në ekonomi, ne po marshojmë përpara, deklaroi udhërrëfyesi ynë shqiptar.

Këshilla të mira për turistët

Kur u pyet përse Shqipëria, me plazhet e saj të bukura përgjatë Adriatikut, nuk e hapte vendin për turistët perëndimorë, udhërrëfyesi u përgjigj se kishin pasur përvoja të këqija me disa turistë «të këqij».

— Ata vijnë këtu, fotografojnë gra të moshuara të veshura keq dhe pastaj kthehen në shtëpi e shkruajnë keq për ne. Mund të jetojmë edhe pa këtë lloj turistësh. Megjithatë, delegacionet e vogla janë gjithmonë të mirëpritura.

Dhe njerëzit që kanë ndërmend të vizitojnë Shqipërinë duhet ta kenë parasysh këtë. Dy ose tre persona së bashku janë, në të vërtetë, më mirë se një turist i vetëm në këtë vend.

Turisti duhet të kujtojë gjithashtu se nuk duhet t’i japë kurrë bakshish një kamerieri ndërsa udhërrëfyesi është duke parë. Në këtë vend, të gjithë vëzhgojnë njëri-tjetrin; prej kësaj burojnë dyshimi dhe rezervimi.

Nëse turisti del për shëtitje nëpër rrugë në mbrëmje, duhet të bëjë kujdes nga ushtarakët e armatosur, të cilët janë vendosur, ndër të tjera, përpara ndërtesave qeveritare. Nëse rojet i bien bilbilit ose i bëjnë shenjë me automatik, kjo do të thotë se turisti në fjalë duhet të largohet menjëherë.

Dajti është emri i hotelit më të mirë në Tiranë. Nëse turisti dëshiron të hajë diçka vërtet të mirë, duhet të shkojë atje dhe të kërkojë «viç me qepë». Kjo pjatë është një delikatesë e vërtetë.

Dhe nëse dëshiron të arrijë të marrë një buzëqeshje nga një shqiptar, është mirë t’i thotë se ekipi kombëtar shqiptar i futbollit është i një niveli të lartë. Një lajkatim i tillë nuk mund të mos i pëlqejë as shqiptarit.


Send this to a friend