VOAL

VOAL

Isa Mustafa dërgohet në Gjermani për shërim

January 14, 2018

Komentet

Shtatë nga viktimat ishin fëmijë – “Divan plot vrima plumbash”: Kur shtëpia është edhe skenë e krimit të luftës

Ardita Zeqiri

Mes kujtimeve traumatike dhe jetës së përditshme, shumë të mbijetuar të masakrave të luftës në Kosovë vazhduan të jetonin brenda shtëpive ku u vranë të afërmit e tyre.

Në dhomën e ndejës së shtëpisë së familjes Gërxhaliu, në fshatin Studime e poshtme në komunën e Vushtrrisë, fotografitë e 13 anëtarëve të familjes që u vranë nga forcat serbe më 31 maj 1999 janë vendosur me kujdes mbi divanin e vjetër.

Shtatë nga viktimat ishin fëmijë.

“Këtu kemi jetu me Lisën”- tha Gërxhaliu, duke iu referuar vajzës së tij Elisa me nofkën e saj- ulur në dhomën ku kishte ndodhur masakra.

Nexhmedin Gërxhaliu u kthye në shtëpi nga Gjermania në mesin e qershorit 1999, disa ditë pasi trupat e NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate bombardimi ajror prej 78 ditësh.

Një vend që mbante kujtime të panumërta të fëmijërisë ishte shndërruar në vend masakre.

Gërxhaliu, tash 64 vjeç, dhe vajza e tij Elisa, 20 vjeçe, vazhduan të jetonin në shtëpinë ku 13 anëtarë të familjes së tyre ishin masakruar, deri në vitin 2018.

Që atëherë, shtëpia ka mbetur bosh dhe pritet të shndërrohet në muze. Ajo është një nga disa lokacione në Kosovë të lidhura me masakrat e luftës që institucionet po përpiqen t’i ruajnë si memoriale.

Megjithatë, Ministria e Kulturës tha se procesi nuk është pa sfida. Në disa raste, të mbijetuarit e masakrave ose familjarët e viktimave vazhdojnë të jetojnë në këto vende, shpesh sepse nuk kanë zgjidhje tjetër.

Për shumë të mbijetuar në gjithë Kosovën, vendet e krimeve të luftës nuk janë memoriale të largëta, por hapësira të jetës së përditshme.

Në fundin e atij Maji, Gërxhaliu humbi gruan e tij të parë, djalin, vëllanë, kunatën, nënën, gjashtë mbesa e nipër dhe kushëririn. Një nip tjetër ishte vrarë disa ditë më herët në qytet.

Vëllai i tij Selatini, së bashku me djalin Shabanin dhe kushëririn Xhemajlin, u ekzekutuan jashtë, ndërsa të tjerët u vranë brenda shtëpisë.

“Tragjedia ishte e randë, jo vendimi mu kthy me jetu në këtë shtëpi” shpjegon ai, duke shtuar se “jeta më pas ishte katastrofike — me padrejtësi, pa përgjigje.”

Sfidat e kthimit të shtëpive në memoriale

Shtëpia në fshatin Studime, Vushtrri, ku familja Gërxhaliu u vra nga forcat serbe më 31 maj 1999. Foto: BIRN

Pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar brenda shtëpisë së Gërxhaliut që nga ajo ditë e majit të 1999.

Vrimat e plumbave ende shihen në mure. Mobiliet kanë mbetur saktësisht aty ku ishin.

“Edhe divanet janë të njëjtat”- tha Gërxhaliu. “I kemi mbulu se janë plot me vrima plumbash.”

Ai tani jeton afër, por kthehet rregullisht për ta mirëmbajtur pronën. Të jetuarit aty, tha ai, nuk ishte kurrë frikësues.

“Sa jetuam këtu, disi u pajtuam”. Tash që vij më rrallë dhe jetoj më larg, është ma e rëndë.”

Edhe për Elisën, shtëpia nuk është ndjerë kurrë si e përhumbur. “Për mu dhe babin, nuk ishte kurrë e frikshme apo traumatizuese të jetonim këtu”- tha ajo.

Megjithatë, duke kujtuar rritjen mes mungesës dhe duke qëndruar përballë fotografive të gjysmëvëllait dhe të afërmve që nuk i kishte njohur kurrë, zëri iu drodh teksa kujtonte si ishte rritur duke parë babanë dhe hallat e saj të qanin për të afërmit që kishin humbur.

“Tash une jam gjaku i vetëm në këtë shtëpi”- tha Elisa, duke shtuar se “kam menduar 100 mijë herë si do të kishte qenë jeta po të ishin gjallë.”

Shtëpia në fshatin Studime, Vushtrri, ku familja Gërxhaliu u vra nga forcat serbe më 31 maj 1999. Foto: BIRN

Sipas Ministrisë së Kulturës së Kosovës, projektet e konservimit kryhen nga ekspertë të trashëgimisë “me qëllim të ruajtjes së autenticitetit historik dhe kujtesës kolektive.”

Ministria tha se Agjencia për Mbrojtjen e Monumenteve ka konservuar ose trajtuar disa shtëpi të lidhura me krime lufte, përfshirë shtëpi të lidhura me masakrat në fshatrat Likoshan, Poklek dhe Reçak.

Në fshatin Poklek, 53 civilë u vranë në shtëpinë e Fadil Muqollit më 17.04.1999. 51 nga viktimat u ekzekutuan brenda shtëpisë, ku trupat e tyre u dogjën disa herë. Mes viktimave kishte gra shtatzëna dhe 23 fëmijë, nga gjashtë muajsh deri në 14 vjeç, ndërsa viktima më e moshuar ishte 75 vjeç.

Shtëpia në Poklek është shndërruar në muze memorial. Ajo përmban fotografi, rroba, libra, fletore shkollore dhe sende personale të viktimave.

Zyrtarët theksojnë se procesi është shumë më i ndërlikuar për shkak se disa shtëpi ende janë të banuara nga të mbijetuar ose familjarë të viktimave.

“Një nga sfidat kryesore të ruajtjes dhe memorializimit të këtyre shtëpive mbetet fakti se disa prej tyre ende përdoren si banesa”- theksoi ministria, duke shtuar se “në raste të caktuara kemi hasur mospajtime nga anëtarët e familjes lidhur me mënyrën se si duhet të trajtohen objektet.”

“Jetojmë në hijen e krimeve”

Pranvera Sharani mban një fotografi të saj dhe të bashkëshortit të saj, Tahir Sharani, i cili u vra nga forcat serbe në oborrin e shtëpisë së tyre më 10 maj 1999. Foto: BIRN

Ndryshe nga familja Gërxhaliu, shtëpia e së cilës po shkon drejt shndërrimit në muze, shumë familje ende vazhdojnë të jetojnë në prona ku dikur ndodhën vrasje. Përtej të qenit shtëpi, këto vende janë dëshmi të krimeve të luftës.

Në Gjakovë, Pranvera Sharani dhe katër fëmijët e saj kaluan vite duke fjetur në të njëjtën shtëpi, oborri i së cilës ishte vendi i ekzekutimit të 11 anëtarëve të familjes dhe fqinjëve të tyre në maj 1999.

“Kam mendu mu largu qysh ditën e parë”- tha ajo, duke parë drejt oborrit. “A pe sheh këtë oborr? Të gjithë i rreshtuan këtu. Nganjëherë kur mërzitem, them: ‘Po ecim mbi gjakun e tyre.’ Ende nuk e di si fle këtu. Jetojmë në hijen e krimeve”-  tha ajo, teksa kujtonte si i kishte parë familjarët e saj dhe burra të tjerë të lagjes të rreshtuar nga forcat serbe.

“I pashë të rreshtuar”- kujtoi ajo. “Policia më patën tërheq zvarrë, duke më pyet ku ishin paratë. Kur dola përsëri, i pashë pranë murit. Derisa po largohesha, i dëgjova krismat e armëve.”

Tri ditë më vonë, ajo u kthye në zonë me disa fqinjë.

“E kemi pa një kamion të mbeturinave komunale që bartte trupat. Një kojshike madje i njohu rrobat e burrit të saj.”

Më 10.05.1999, gjashtë anëtarë të familjes Sharani u vranë, përfshirë burrin e saj Tahirin, 43 vjeç atëkohë, kunetërit Skyfterin, Mentorin dhe Isufin, si dhe dy nipër. Pesë burra nga familjet fqinje gjithashtu u mblodhën dhe u ekzekutuan në oborrin e tyre.

Duke treguar një fotografi të saj me burrin Tahirin, Sharani ndaloi për një çast. “Burri im… jeta jem”- tha ajo.

Kunata e Pranverës, Luljeta, jeton ngjitur, duke ndarë të njëjtin oborr. Luljeta humbi burrin e saj Skyfterin, 48 vjeç atëkohë, dhe dy djemtë e tyre, Valonin 22-vjeçar dhe Visarin 20-vjeçar.

“Kur ushtria hyri, u thashë djemve të fshiheshin”- kujtoi Luljeta në një intervistë për dokumentarin e BIRN-it mbi personat e zhdukur, transmetuar më 16.05.2026.

“Valoni më tha: ‘Ku të fshihemi moj mam? E gjithë lagjja është e rrethuar.’ Kur na nxorën jashtë me forcë, ndaluan 11 burra, ndërsa grave dhe fëmijëve iu urdhërua të largoheshin”- tha ajo.

Anëtarët e familjes Sharani të vrarë nga forcat serbe më 10 maj 1999. Foto: BIRN

Luljeta thotë se familja kaloi vite pa e ditur ku ishin dërguar trupat, duke protestuar vazhdimisht derisa u gjetën në varrezën masive të Batajnicës në Serbi, së bashku me më shumë se 700 trupa të burrave, grave dhe fëmijëve shqiptarë të Kosovës, të transportuar nga vende të ndryshme të Kosovës.

“Më 23 dhjetor 2003 filluan kthimin e trupave në arkivole”- tha ajo.

“Trupi i kunatit tim Tahiri u kthye me grupin e parë. Katër muaj më vonë, më 18 prill 2004, kthyen grupin e dytë, ku ishin Skyfteri, Mentori dhe Isufi.” Rreth tre vjet më vonë, më 15 janar 2007, “që ishte edhe ditëlindja e Visarit, m’i kthyen djemtë.”

Pranvera ishte kthyer me katër fëmijët e saj, të moshës nga 7 deri në 14 vjeç, dhe më vonë bëri disa renovime në shtëpi pasi ajo ishte djegur. Në vitin 2002, ajo u zhvendos me fëmijët në Prishtinë, ku punoi si mësuese historie në një shkollë fillore.

“Shkolla dhe nxënësit ishin shpëtimi im”- tha ajo.

Dy vjet më parë, pasi doli në pension, ajo u kthye sërish në Gjakovë, në të njëjtën shtëpi.

“Është e dhimbshme të jetosh në një vend ku dikur kishe një jetë të mirë, e pastaj për pesë minuta gjithçka ndryshoi.”

Sot, ajo pendohet që e rinovoi shtëpinë:

“Mendoj se nuk duhej ta kishim rinovuar kurrë. Duhej të kishte mbetur ashtu siç ishte, si dëshmi e luftës.”

Trauma mbetet brenda mureve

Nga instalacioni “Mendoj për ty” i artistes Alketa Xhafa-Mripa, kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, 2015

Për shumë të mbijetuar, dhuna e lidhur me shtëpitë e tyre shkoi përtej vrasjeve të të dashurve, megjithatë shumë prej tyre nuk morën kurrë mbështetjen e nevojshme për shëndetin mendor.

Pranvera Sharani tha se si të mbijetuar të krimeve të luftës “nuk kemi pasur as psikologë, pavarësisht gjithë traumës. Shëndeti mendor nuk diskutohej shumë në atë kohë. Trauma u transmetua edhe te fëmijët, sepse panë skena dhe abuzime të tmerrshme.”

Ajo kujton se kishte marrë djalin e saj të madh (17 vjeç atë kohë) me vete kur i’u kërkua të identifikonte mbetjet e burrit në një morg në Rahovec.

“Kam bo gabim. I ka ndiku shumë”- tha ajo.

Ndërkohë, vajza e saj ende e ka të vështirë të qëndrojë në shtëpi.

“Sa herë që vjen, më thotë: ‘Mam, nuk mundem me nejt këtu. Nuk mund të jetosh në këtë shtëpi.’ Dhe edhe për ne të tjerët, nuk është se qëndrojmë këtu me qelf, po të kishim ku të shkonim tjetër.”

“Edhe sot, kur shoh vetura policie, më kap një lloj ankthi.”

Përveç vrasjeve, dhuna seksuale dhe përdhunimet u kryen gjithashtu brenda shtëpive në gjithë Kosovën, dhe shumë gra u detyruan të vazhdonin të jetonin brenda atyre mureve.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës (QKRMT) tha se shumë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës ende jetojnë në shtëpitë ku ndodhi abuzimi seksual, shpesh sepse vështirësitë ekonomike nuk u lënë alternativë tjetër.

“Në këto situata, shtëpia shpesh mbetet njëkohësisht vend i jetës së përditshme dhe një kujtesë e vazhdueshme e traumës. Kjo mund të shkaktojë emocione të dhimbshme, ankth dhe ndjenja pasigurie”- shpjegoi organizata, duke shtuar se me mbështetje profesionale, të mbijetuarit mund të rindërtojnë gradualisht ndjenjën e sigurisë brenda të njëjtës hapësirë.

“Kur është klinikisht e përshtatshme dhe pas stabilizimit të mjaftueshëm, qasjet e bazuara në ekspozim mund t’i ndihmojnë të mbijetuarit ta shohin shtëpinë ndryshe. Qëllimi është të ndahet e kaluara traumatike nga realiteti i tanishëm dhe gradualisht të shndërrohet shtëpia nga simbol rreziku në një hapësirë rikuperimi dhe jete”- tha QKRMT.

Shtëpia në fshatin Studime, Vushtrri, ku familja Gërxhaliu u vra nga forcat serbe më 31 maj 1999. Foto: BIRN

Për Gërxhaliun, megjithatë, kufiri mes kujtesës dhe jetës së përditshme nuk është zhdukur kurrë.

Duke mbajtur në dorë një libër që dokumenton vrasjet, ai pa sërish fotografitë e vendosura mbi shtretër.

“Pjesa më e vështirë”- tha ai, “është kur vij këtu dhe i shikoj këto fotografi.”

“Kur i hap ato dyer atje poshtë”- shtoi ai, “më duket sikur ende i shoh fëmijët ashtu si i pata lënë.”

Shënim: Ky artikull është prodhuar në kuadër të Akademisë për Raportim në Fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën (DëP) dhe Gazetarisë së Ndjeshme ndaj Konfliktit, e zbatuar nga Pro Peace – Programi në Kosovë në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK). Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull janë vetëm të gazetarit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Pro Peace apo AGK-së./Kallxo.com

Ky artikull fillimisht u publikua në gazetën Prishtina Insight.

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjes e 20-të të Qeverisë

 

Prishtinë, 22 maj 2026

 

 

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,

Të nderuar punonjës të kabinetit qeveritar dhe të mediave,

Të dashur qytetarë,

 

 

Qeveria jonë, nga ditët e para pas zgjedhjeve të dhjetorit, ka qenë e qartë dhe e vendosur në prioritetet e saj. Një nga pesë vendimet e para të qeverisë së re ishte edhe miratimi i Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh, e kjo me qëllim të mbështetjes së familjeve për të përballuar më lehtë barrën e rënduar të çmimeve të larta, që na vijnë si pasojë e krizave dhe tronditjeve globale.

 

 

Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0 parashihte mbështetjen e pensionistëve, fëmijëve, studentëve dhe punëtorëve në sektorin privat. Ky ishte një premtim i bërë qartë para qytetarëve dhe një zotim që ne e kemi marrë me përgjegjësi të plotë.

 

 

Prandaj, për ta jetësuar këtë zotim, në muajin e kaluar e proceduam në Kuvend të Republikës për miratim dhe rishikimin buxhetit, i cili do të siguronte fondet që do të mundësonin zbatimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.

 

 

Kur rishikimi i buxhetit, u paraqit në Kuvend për votim me procedurë të përshpejtuar, për çfarë nevojiteshin dy të tretat e deputetëve të pranishëm, blloku opozitar e bëri të vetmen gjë që din ta bëjë tash e sa kohë, pra bllokimin. Edhe pse në debat parlamentar pak ditë më parë blloku opozitar kishin kërkuar që qeveria t’u dilte në mbështetje qytetarëve, kur erdhi momenti për të votuar, vendosën të pengonin pakon, e cila do të ndihmonte secilën familje. Përderisa kostoja e jetesës po vazhdon të rritet si pasojë e krizave globale, blloku opozitar tash krenohen me faktin që pamundësuan qeverinë ta miratonte një pako mbështetëse, duke mos pasur konsideratën më të vogël për vështirësitë me të cilat qytetarët përballen çdo ditë.

 

 

Mirëpo, të gjendur përballë kësaj situate, qeveria jonë nuk mund të qëndrojë duarkryq. Unë kam kërkuar nga Ministri i Financave që të shfrytëzojë çdo mundësi buxhetore për të dizajnuar një pako për Përballje me Inflacionin, ashtu siç jemi zotuar.

 

 

Qytetarët e Republikës duhet ta dinë dhe gjithmonë duhet të llogarisin, se qeveria jonë dhe e tyre nuk do t’i lërë kurrë vetëm, pavarësisht pengesave apo bllokadave që të tjerët mund t’i vendosin në rrugën tonë të përbashkët.

 

 

Prandaj, sot kam kënaqësinë t’ju njoftoj për Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, të cilën e kemi dizajnuar dhe do ta miratojmë sot, me masat si vijon:

 

 

·       Mbështetje e njëherëshme prej 100 eurosh për pensionistët,

 

·       Mbështetje e njëherëshme prej 100 eurosh për fëmijët,

 

·       Mbështetje e njëherëshme prej 100 eurosh për punonjësit e sektorit jo-publik,

 

·       Mbështetje e njëherëshme prej 100 eurosh për studentët aktivë.

 

 

Meqenëse për pensionistët dhe fëmijët nuk do të ketë nevojë për aplikim, sepse i kemi listat e përfituesve tashmë, do të synojmë që pagesat e njëhershme për familjet përfituese t’i bëjmë në fillim të javës që vjen, pra para festës së Bajramit, ashtu që secila familje të ndjehet e barabartë në atë ditë feste, duke e ditur se dora e mirë e shtetit kujdeset edhe për ta. Kurse, për të punësuarit e sektorit jo-publik dhe për studentët, nga ministri i financave jam njoftuar që nevojitet procedure aplikimi, e cila do të hapet në javën e ardhshme dhe besoj që për këtë ministri do të mund të prezantojë detajet tjera në vijim.

 

 

Jemi të vetëdijshëm se, në mungesë të buxhetit të rishikuar, i cili u bllokua nga blloku opozitar, kjo pako, të dashur qytetarë, nuk i adreson të gjitha problemet dhe nevojat, por sadopak lehtëson barrën për secilën familje në vendin tonë. Sepse, për dallim nga blloku opozitar, qeveria jonë është qeveri që kujdeset që dora e shtetit të prekë secilin. Jemi qeveria e vetme, e cila ka dëshmuar se mendon për hallet e secilës familje në Republikën e Kosovës.

 

 

Sot, gjithashtu kam kënaqësinë të ndaj edhe një lajm tejet të mirë për të gjitha gratë lehona.

 

 

Në qeveritë para nesh, nuk ishte bërë asgjë për gratë. Për 20 vite qeverisje të partive të tjera, askujt nuk i kujtohet as edhe një masë e vetme që ishte bërë për të mbështetur gratë.

 

Kurse, ne për vetëm një mandat:

 

 

– kemi subvencionuar punësimin e grave,

– kemi mbështetur me subvencione e grante vajzat dhe gratë që merren me biznes,

– kemi lansuar masën Qeveria për Familjet, ku shumica e të punësuarve janë gra,

– kemi mbështetur me bursa të gjitha vajzat dhe gratë që kanë studiuar STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri e matematikë,

– kemi nisur apo ndërtuar 74 çerdhe të reja për ta lehtësuar barrën e përkujdesit të fëmijëve, barrë, e cila bie mbipropocionalisht mbi gratë,

– kemi shtuar programin e vizitave në shtëpi për gratë shtatzëna,

– kemi nisur e pastaj i kemi rritur shtesat për fëmijë e shtesat për lehona, para të cilat transferohen në llogarinë bankare të nënës,

– si dhe shumë e shumë masa e veprime të tjera në mbështetje të grave.

 

 

E superlajmi, që dua të ndaj sot me ju është se nga ky muaj do të rrisim shtesat për lehona.

 

 

Përderisa me qeverisjet e kaluara, shtesat për lehona ishin 0 euro, thua se ky shtet nuk kishte nëna lehona, për herë të parë me qeverisjen tonë i nisëm ato duke paguar nga 170 euro për 6 muaj me radhë për lehonat e papuna, dhe 3 muaj për ato të punësuarat, mbi pagesën që tashmë e marrin sipas ligjit të punës.

 

 

E thamë se shtesat për lehona do t’i bëjmë aq sa do të jetë paga minimale.

 

 

Shtesat i nisëm aq sa ishte paga minimale, 170 euro në muaj, pra aq sa e gjetëm pagën minimale, kurse në maj të vitit të kaluar, nga 170 euro në muaj, shtesat i rritëm në 325.9 euro në muaj, aq sa i binte paga minimale neto, pra kjo para një viti.

 

 

E sivjet pagën minimale e rritëm përsëri, nga 1 janari është 425 euro në muaj, kurse nga 1 korriku ajo bëhet 500 euro në muaj.

 

 

E njësoj, sikurse vitin e kaluar, edhe në këtë maj, ne po i rrisim shtesat për lehona, ashtu sikurse kemi premtuar, nga 325.9 euro në muaj, në 500 euro në muaj, sa paga minimale. Me fjalë tjera, nuk po e presim korrikun, por rritjen po e bëjmë qysh tani.

 

 

Nga ky muaj e tutje, secila nënë lehonë do të përfitojë mbështetjen mujore prej 500 euro në muaj.

 

 

Kjo, për një lehonë, e cila nuk është e punësuar, përkthehet në 3,000 euro mbështetje përgjatë 6 muajve, pa llogaritur edhe shtesat mujore për foshnjën, beben.

 

 

Kurse, për ato të punësuarat, kjo përkthehet në mbështetje prej 1,500 euro, përtej pagesave, të cilat u takojnë atyre sipas ligjit të punës, 70% e pagës nga punëdhënësi për 6 muajt e parë dhe 50% të pagës mesatare nga shteti për 3 muajt e tjerë.

 

 

E për ta dëshmuar se nuk ndalemi fare kur vjen puna te mbështetja e grave, shumë shpejt do ta lansojmë edhe programin Superpuna për Gratë, përmes të cilit të gjitha gratë do t’i mbështesim, duke ua paguar për 6 muaj tjerë pagën minimale, nëse ato rikthehen në tregun e punës.

 

 

Ju faleminderit!

/Zyra e Kryeministrit

 

 

NATO kërkon llogaridhënie për sulmin në Banjskë: Serbia i di emrat e sulmuesve

 

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Partneritete në NATO, ambasadori Kevin Hamilton, ka mbajtur sot një takim me gazetarë në Prishtinë, ku ka diskutuar rreth situatës së sigurisë në Kosovë, zhvillimeve në rajon, dialogut Kosovë-Serbi dhe kërcënimeve hibride në Ballkanin Perëndimor.

Në pyetjen e parashtruar nga gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj e cila ishte prezente në këtë takim, lidhur me incidentet në veri dhe mundësinë e përsëritjes së tyre tash në prag të zgjedhjeve të reja, ambasadori Hamilton u shpreh se në përgjithësi situata në Kosovë është stabile dhe e sigurt.

“Por sigurisht, KFOR-i është këtu për një arsye, sepse ekziston një histori e brishtësisë. Mandati i KFOR-it dhe NATO-s është të punojnë me institucionet në Kosovë për t’u siguruar që ky stabilitet të ruhet. Pra, KFOR-i dhe NATO janë gjithmonë duke vëzhguar dhe dëgjuar, për t’u siguruar që të mos ketë rritje të paqëndrueshmërisë. Por duhet të them se, për momentin, ne ndihemi mjaft komodë me situatën në terren në Kosovë”, u shpreh Hamilton.

Ambasadori Hamilton foli edhe për sulmin në Banjskë, duke thënë se NATO pret përgjegjësi dhe drejtësi për incidentet e vitit 2023, ndërsa theksoi se kjo çështje mbetet e rëndësishme edhe për raportet ndërmjet NATO-s dhe Serbisë, raporton Telegrafi.

“Sapo kam ardhur nga Beogradi para se të arrija këtu në Prishtinë dhe mesazhi im për autoritetet serbe është se NATO pret llogaridhënie, që drejtësia të vihet në vend – ata që organizuan dhe kryen ato sulme duhet të përballen me drejtësinë”, deklaroi ai, duke theksuar se sulmet ndaj pjesëtareve të KFOR-it janë të papranueshme.

Ambasadori shtoi se Serbia i di autorët e këtij sulmi, prandaj presin hapa konkret.

“Që marrëdhëniet NATO-Serbi të ecin përpara në një mënyrë më të thellë dhe më kuptimplotë, duhet të shohim që organizatorët e sulmit në Banjskë të sillen para drejtësisë. Dhe ne e dimë kush janë ata, ne besojmë se edhe autoritetet në Serbi e dinë kush janë. Prandaj, siç thashë, topi është në anën e Serbisë për të ndërmarrë hapat e ardhshëm. Ky ishte mesazhi që ua dhashë bashkëbiseduesve të mi serbë dhe tani topi është në anën e tyre”, tha ai.

Sipas Hamiltonit, megjithëse NATO dëshiron një marrëdhënie më të thellë dhe më transparente me Serbinë, disa procese të bashkëpunimit nuk mund të avancojnë pa pasur përgjegjësi për sulmet në veri të Kosovës.

“Do të thosha marrëdhënie më të thella ndërmjet NATO-s dhe Serbisë. Për shembull, avancimi i një programi partneriteti të përshtatur individualisht me Serbinë, në një kuptim shumë real. Ne duam të shohim që kjo të ndodhë, por nuk do të ecim përpara me ato aspekte të bashkëpunimit praktik derisa të shohim llogaridhënie dhe drejtësi për incidentet e vitit 2023”, u shpreh Hamilton, raporton Telegrafi.

Ambasadori i NATO-s përmendi edhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku theksoi se NATO e mbështet.

“Duhet të ketë dialog të vazhdueshëm dhe të fuqishëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. NATO e mbështet fuqishëm procesin e dialogut Prishtinë–Beograd të udhëhequr nga BE-ja, nën drejtimin e Peter Sorensen”, tha Hamilton. /Telegrafi/

Përplasja mes dy ligjeve që po i bllokon investimet në Kosovë

Flaka Zogu

Një pronë është gjëja e parë që duhet ta sigurojë dikush kur vendos të investojë në Kosovë. Por, kur ajo është e shtetit, situata bëhet e ndërlikuar.

Një përplasje mes Ligjit për pyjet dhe Ligjit për pronën publike ka krijuar një ngërç institucional në Kosovë, duke e bërë të vështirë marrjen në shfrytëzim të pronave shtetërore – dhe duke vonuar projektet investuese.

Të dy ligjet u miratuan nga legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës në vitin 2023, me një diferencë prej rreth shtatë muajsh.

Si është problemi?

Ligji për pyjet, i miratuar më 9 mars 2023, i jep Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK) kompetencën për menaxhimin e kullotave dhe të tokave pyjore shtetërore, rrjedhimisht të shqyrtojë edhe kërkesat për të marrë tokat shtetërore me qira.

Sipas këtij ligji, deri në 20 hektarë të tokës pyjore jepen me qira me miratim të vet Agjencisë. Për 20 deri në 50 hektarë vendos Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), kurse mbi 50 hektarë jepen vetëm me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Por, pas miratimit të Ligjit për pronën publike, më 26 tetor të po atij viti, situata u bë e paqartë.

Ky ligj parasheh që pëlqimin paraprak për ta marrë një pronë në shfrytëzim ta japë Zyra për Administrimin e Pronës Publike (ZAPP).

Ky organ tashmë është krijuar si zyrë e veçantë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Vetëm pasi ZAPP-ja të jetë siguruar se prona që po kërkohet nga një investitor potencial nuk është në interes për t’u përdorur nga asnjë institucion publik, i vazhdon procedurat e dhënies me qira të saj.

Këto procedura përfundojnë me miratimin final nga institucionet e larta të shtetit.

Sipas këtij ligji, prona shtetërore mund të jepet me qira deri në 15 vjet, me vendim në mbledhjen e Qeverisë apo të kuvendeve komunale.

Kurse për dhënien me qira për 99 vjet të një prone publike duhet të vendosë Kuvendi i Kosovës.

Çka shkaktoi kjo?

Për shkak të mungesës së harmonizimit ligjor, APK-ja ka pezulluar shqyrtimin e kërkesave për shfrytëzim të përkohshëm të tokave publike.

Në një përgjigje zyrtare të Agjencisë për kërkesën e një investitori të huaj të interesuar – të cilën e ka siguruar Radio Evropa e Lirë – thuhet se pa u bërë një qartësim ligjor rreth kompetencave, ajo nuk mund të vazhdojë me procedurat.

“E kemi të pamundur të vazhdojmë me procedura të mëtejme pa u marrë veprimet për plotësimin/ndryshimin dhe harmonizimin ligjor, dhe cilat mund të jenë kompetencat që ka Agjencia Pyjore e Kosovës lidhur me menaxhimin dhe administrimin e pyjeve, kullotave, dhe tokave pyjore publike në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e APK-së, të datës 19 mars 2025.

Tash e një vit, investitori potencial nuk ka arritur të marrë me qira pronën shtetërore të kërkuar.

Disa investitorë të huaj të interesuar, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, u ankuan për pritje të gjata në shqyrtimin e kërkesave për marrje me qira të pronave publike, por hezituan të flasin publikisht për rastet e tyre, nga frika se kjo mund t’u krijojë probleme në procesin e marrjes së pronës në shfrytëzim.

APK-ja i tha Radios Evropa e Lirë se në lidhje me atë se si po veprohet me kërkesat në pritje të investitorëve duhet të pyetet MBPRZH-ja.

Por, as kjo e fundit nuk u përgjigj.

Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit i tha Radios Evropa e Lirë se ZAPP-ja, si njësi e re e krijuar, ka trajtuar secilën kërkesë që i është përcjellë nga APK-ja, duke shtuar se “involvimi i Agjencisë së Pyjeve brenda kësaj teme është i pashmangshëm”.

Në përgjigje thuhet edhe se Qeveria ka zhvilluar takime mes institucioneve, përfshirë APK-në dhe bizneset që shfrytëzojnë tokë pyjore me qira, për të sqaruar paqartësitë ligjore dhe për të mbrojtur interesin publik.

Dekurajim për investitorët e huaj

Në praktikë, kjo situatë ka krijuar vonesa të mëdha për bizneset që synojnë investime në prona publike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se pezullimi i shqyrtimit të kërkesave po i lë investitorët në pasiguri.

“Nuk ka ndonjë kufi që është i vendosur brenda të cilit kthehet përgjigja. Ka biznese që po presin që shtatë muaj e deri në një vit, dhe nuk kanë ende përgjigje, për shkak të këtyre paqartësive”, tregon ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, kjo situatë po i dekurajon investitorët e huaj të zhvillojnë biznes në Kosovë.

“Kemi investitorë të huaj që kanë ardhur ta bëjnë një studim për investim potencial dhe menjëherë kanë hasur në këtë sfidë ligjore. Dhe, në njëfarë forme, kjo i ka bërë të pasigurt që ata të investojnë në Kosovë”, thotë Rafuna.

Shembulli i Shqipërisë

Nikolin Jaka.

Nikolin Jaka.

Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe në Shqipëri ka pasur raste kur investimet vendëse dhe të huaja janë shtyrë për shkak të moskoordinimit institucional, por që është punuar në mënjanimin e pengesave përmes digjitalizimit të shërbimeve.

Pavarësisht kuadrit ligjor të konsoliduar, bizneset në Shqipëri vazhdojnë të kërkojnë më shumë qartësi rreth konceptit “one-stop authority” për dhënien në përdorim të pronës publike, tregon ai.

Sipas këtij koncepti, një investitor në Shqipëri mund të kryejë disa procedura administrative në një zyrë të vetme, pa pasur nevojë të shkojë në shumë institucione.

Jaka pohon se Shqipëria sot është vend i favorshëm për investime, teksa përmend se “nuk ka kufizime të mëdha për kapitalin e huaj”.

“Kostot konkurruese të punës dhe procedurat më të avancuara digjitale për regjistrimin e biznesit dhe licencimet”, por edhe “pozicionin strategjik” të Shqipërisë dhe “afërsinë me tregun e Bashkimit Evropian” ai i numëron si lehtësira të tjera.

“Në terma praktikë, investitori në Shqipëri sot mund të regjistrojë biznesin relativisht shpejt edhe online”, shprehet Jaka.

Ndërkohë, investitorët në Kosovë duhet të presin edhe më tutje një qartësim ligjor për të shfrytëzuar pronat publike – vendi aktualisht nuk ka një qeveri me kompetenca të plota, dhe as Kuvend që mund të miratojë ndryshime të ligjeve.

Kosova arreston shtatë persona në Graçanicë nën dyshimin për cenim të vullnetit të lirë të votuesve

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet kosovare i kanë arrestuar shtatë persona të nacionalitetit serb në afërsi të Prishtinës të mërkurën, nën dyshimet për “kërcënime, presion dhe shantazh” ndaj vullnetit të lirë të votuesve në prag zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të muajit të ardhshëm, duke nxitur reagime nga Serbia fqinje.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se ata u arrestuan në Graçanicë lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave të lartcekura.

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se pesë persona u ndaluan për “cenim të vullnetit të lirë të votuesve në Graçanicë”, komunë me shumicë serbe në Kosovë.

Këto arrestime ndodhën pasi ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, akuzoi Listën Serbe për “presion” dhe “frikësim” ndaj mbështetësve të tij, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente të Kosovës që të reagojnë.

Sveçla shkroi në Facebook se “akte të tilla, që targetojnë drejtpërdrejt qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia, të cilat cenojnë pluralizmin politik dhe rendin demokratik në vendin tonë”.

Prokuroria, ndërkaq, tha se ka vepruar sipas detyrës zyrtare pas raportimeve mediale mbi pretendimet e Rashiqit, i cili është lider i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”.

Radio Evropa e Lirë (REL) më 18 maj publikoi dëshmi të disa personave që thanë se janë larguar nga puna sepse nuk e mbështesin Listën Serbe, por partinë e Rashiqit.

Ata kishin punuar për dekada në institucionet shëndetësore dhe arsimore të Serbisë në Kosovë, të cilat vitet e fundit udhëhiqen kryesisht nga anëtarë dhe zyrtarë të Listës Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar pesë (5) persona, shtetas të Republikës së Kosovës, të nacionalitetit serb, pasi që të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’ nga neni 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më tej shtohet se Prokuroria ka mbledhur deklarata dhe prova mbi bazën e të cilave dyshohet se personat e arrestuar kanë qenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme që lidhen me këtë vepër penale.

Lista Serbe pretendon se bëhet fjalë për “integrim të dhunshëm”

I menjëhershëm ishte reagimi i Listës Serbe. Zyrtari i saj, Igor Simiq, në konferencë për shtyp tha se janë arrestuar drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore, dhe se në këtë “më drejtpërdrejt ka marrë pjesë Nenad Rashiq, sepse ka targetuar serbët”.

Ai vlerësoi se në këtë mënyrë po kryhet “integrim i dhunshëm” i institucioneve shëndetësore dhe arsimore.

Këto institucione në mjediset serbe funksionojnë në sistemin e Serbisë dhe janë pothuajse të vetmet që kanë mbetur, pasi gjatë dy viteve të fundit të gjitha të tjerat janë mbyllur nga autoritetet e Kosovës, me arsyetimin se janë “paralele dhe ilegale”.

Çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë është hapur në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti deklaroi se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se nevojitet “inkorporimi dhe bashkimi i tyre”.

“Këto arrestime të sotme nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet, kjo është një përpjekje për të sulmuar shëndetësinë dhe arsimin serb dhe nga ana tjetër, nëse flasim për zgjedhjet, për t’i ndihmuar Nenad Rashiqit që me forcë t’i fitojë votat e popullit serb”, tha Simiq.

Ai deklaroi se punonjësit e “sanksionuar” në institucionet serbe që kanë mbetur pa punë kanë të drejtë ankese, dhe se drejtorët “i kanë kryer me nder detyrat e tyre”.

Reagime pati edhe nga autoritetet në Serbi. Zëvendëskryeministri dhe ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daqiq, deklaroi se “të gjithë personat që me veprimet e tyre kanë kontribuar në ndalimin e pesë serbëve, drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore të Republikës së Serbisë nga pjesa qendrore e Kosovës, do të ndiqen dhe sanksionohen në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë”, njoftoi MPB e Serbisë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të mërkurën se i kishte njoftuar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe të dërguarin e BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen, për këto arrestime, duke iu kërkuar “të angazhohen urgjentisht në këtë çështje”.

Petkoviq e karakterizoi arrestimet si “rrëmbim të paligjshëm dhe të pabazuar”.

“Sjellja e drejtorëve të institucioneve shëndetësore dhe arsimore të Republikës së Serbisë nga zona e Kosovës qendrore me urdhër të Albin Kurtit është një përpjekje e Prishtina për të ushtruar trysni të papranueshëm dhe për të frikësuar votuesit serbë në këto zona, në mënyrë që Kurti të mund të shtyjë të preferuarin e tij Nenad Rashiq në zgjedhjet e ardhshme”, tha Petkoviq.

Në disa vendime për largim nga puna, të cilat REL-i i ka parë, thuhet se të punësuarit për një periudhë më të gjatë kanë shprehur publikisht bindjet e tyre politike, në kundërshtim me “interesat për të cilat përcaktohet popullsia serbe në Kosovë, e cila jeton në sistemin institucional që nuk e njeh Republika e Serbisë”.

Rashiq, në mbledhjen e Qeverisë në detyrë të Kosovës, më 14 maj, deklaroi se rreth 20 persona që e mbështesin atë janë larguar nga puna dhe se në periudhën e ardhshme pritet që edhe rreth 40 persona të tjerë të marrin vendime për largim nga puna vetëm në territorin e komunës së Graçanicës.

Rashiq, po ashtu, pretendoi se simpatizantët dhe anëtarët e partisë së tij po ndalohen në pikat kufitare me Serbinë nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), ku pyeten se për kë do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë.

Lista Serbe i mohoi këto pretendime, duke thënë se Rashiq nuk ka legjitimitet dhe se po përpiqet të “arsyetojë” humbjen në zgjedhjet e ardhshme.

Në zgjedhjet e fundit, të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë mandatet parlamentare të rezervuara për komunitetin serb, ndërsa një mandat e fitoi partia e Rashiqit.

REL-i iu drejtua edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë me pyetje nëse janë në dijeni për pretendimet mbi largimet nga puna për arsye politike në mjediset serbe në Kosovë, dhe nëse do të ndërmarrin hapa konkretë. Përgjigje nuk ka pasur.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lista Serbe do të ketë si kundërshtar të vetëm partinë e Rashiqit, i cili në dy raste ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Albin Kurtit.

Kosova mëton të themelojë Xhandarmëri

Radio Evropa e Lirë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë ndërmarrë hapat e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës.

Sveçla shkroi në rrjetet sociale se ka nënshkruar themelimin e grupit punues, që sipas tij, do të bëjë analizimin dhe propozimin e modaliteteteve për funksionimin e Xhandarmërisë, si Agjencion i MPB-së.

“Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, shkroi ai në Facebook.

Sipas Sveçlës, krijimi i Xhandarmërisë do të forcojë kapacitetet shtetërore për parandalimin, menaxhimin dhe neutralizimin e kërcënimeve “që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit tonë.

Xhandarmëria është një forcë e sigurisë me karakter ushtarak që kryen detyra policore. Në disa shtete mund të jetë pjesë e Ministrisë së Brendshme, në të tjera pjesë e forcave të armatosura.

Shumë shtete kanë xhandarmërinë e tyre, përfshirë edhe fqinji verior i Kosovës, Serbia, xhandarmëria e së cilës funksionon në kuadër të policisë.

Pjesëtarë të Xhandarmërisë Kombëtare të Francës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Pjesëtarë të Xhandarmërisë Kombëtare të Francës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Xhandarmëri kanë edhe shtete të tjera, sikurse Franca, shtet anëtar i NATO-s.

Shembull, Xhandarmëria e Francës është forcë ushtarake që ka për detyrë sundimin e ligjit, ka juridiksion të plotë mbi popullatën civile dhe është përgjegjëse për sigurinë publike, rendit publik dhe ndërvepron me forcat policore dhe ushtarake brenda dhe jashtë vendit. Ajo luan rol në menaxhimin e krizave dhe merr pjesë edhe në misione paqësore jashtë vendit, por edhe në operacione luftarake.

Në NATO, forcat e llojit të xhandarmërisë përmenden në kuadër të asaj që njihet si policia për stabilitet.

Afati i fundit për diasporën, sot përfundon regjistrimi për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë

Qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës mund të votojnë në dy mënyra: përmes postës ose në përfaqësitë diplomatike.

 

KOSOVË- Sot përfundon afati për regjistrimin e votues nga diaspora për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor. Procesi i regjistrimit ka filluar më 6 maj dhe mbyllet sot, më 17 maj. Qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës mund të votojnë në dy mënyra: përmes postës ose në përfaqësitë diplomatike.

Votimi me postë do të zhvillohet nga 25 maji dhe do të zgjasë 12 ditë, deri më 6 qershor, ndërsa votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet një ditë para zgjedhjeve në Kosovë, më 6 qershor, nga ora 07:00 deri në 19:00. Ndërkohë, nga 6 maji ka nisur edhe periudha për ndërrimin e qendrave të votimit brenda komunës, si dhe për konfirmimin ose kundërshtimin e pasaktësive në Listën Votuese.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë thirrje qytetarëve edhe që të verifikojnë Qendrën e tyre të Votimit dhe të përfundojnë procedurat brenda afatit të përcaktuar.

Verifiko Qendrën tënde të Votimit! Kanë mbetur vetëm edhe 1 ditë për të ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës – afati mbyllet më 17 maj 2026”, ka njoftuar KQZ.

KQZ ka miratuar Listën Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e parakohshme, e cila përmban 2,092,202 votues, apo 15,912 më shumë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme të mbajtura më 28 dhjetor 2026. Po ashtu, KQZ ka certifikuar 902 kandidatë për deputetë nga 21 subjekte politike./Dosja.al

Naser Shatri i çon selam Sami Lushtakut: Dijeni që edhe në VV ka njerëz që kanë luftue e janë gjallë

Naser Shatri i çon selam Sami Lushtakut: Dijeni që edhe në VV ka njerzë që kanë luftu e janë gjallë✊🏼✊🏼
Reagimi i plotë:
Kur gradat e U.Ç.K. së keqperdoren!
Shumë nga Komandantet ne kohë Lufte moren Grada pa naj meritë te caktuar!
Fatëkeqsisht me dhunë e me metoda friksimi disa nga kta Komandanta erdhen ne Pushtet!
Ne kohë Pushteti kta shum shpejt u Pasuruan dhe ben miljona euro! Bile disa nga kta Gjenerala edhe Luften e shfrytezuan per tu be Miljonera!
Tash pasi kan pa qe kurr me nuk do jau mbrrin Jeta per te ardh ne pushtet kan fillu mej sulmu fizikisht Kundershtaret Politik te tyre duke ju msha me qka tju qillon ne dorë!
Veq dine qe edhe ne Vetvendosje ka njerz qe kan Liftu dhe ende jan Gjallë!
Kta edhe “gradat” pas Lufte i kan shpernda me te njofshem!
Qetsohuni ju Lutem se po ndahet Shapi prej Sheqerit!
Lejani Drejtesis let merret me ata qe i rrafin fizikisht kundershtaret e vetë Politik

Më 14 Maj 1999 forcat e armatosura të Serbisë vranë 120 shqiptarë civilë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan të Pejës

Kryeministri Kurti kujton të civilët e vrarë nga makineria kriminale e Milosheviçit:

“Përkujtojmë mbi 120 civilë shqiptarë, të vrarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan të Pejës.

Më 14 maj 1999, fshati Qyshk dhe fshatrat përreth, u sulmuan nga forcat e armatosura të Serbisë. Pasi i ndanë nga gratë dhe fëmijët, burrat i dërguan në tri shtëpi dhe i vranë. Pastaj iu vunë flakën shtëpive me trupat brenda.

Dje përkujtuam masakrën në Korishë. Më 13 maj 1999, u vranë 77 civilë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë. Prej tyre, 14 ishin fëmijë.

Në javët e para të majit 1999, makineria ushtarake e policore e Serbisë po marshonte në Kosovë me projektin gjenocidal “Patkoi”.

Më 1 maj 1999, në Nabërgjan të Pejës, i vranë 17 civilë. E nga data 1 deri më 18 maj gjithsej kanë vrarë 31 civilë, nga 13 deri në 95 vjeç.

Në mbrëmjen e 2 majit 1999, forcat kriminale serbe filluan terrorin sistematik ndaj popullatës civile shqiptare e cila po lëvizte në kolonë nga fshati Studime e Poshtme në Studime të Epërme. Brenda dy orësh, 116 shqiptarë u vranë mizorisht.

Më 3 maj 1999, në oborrin e shkollës në Bukosh u pushkatuan 25 burra dhe djem shqiptarë. Forcat policore të Serbisë i ekzekutuan ata pasi i ndanë nga kolona e banorëve të dëbuar nga fshatrat e Suharekës.

Më 8 maj 1999, në Saradran të Istogut, 18 civilë u vranë nga forcat ushtarake e policore të Serbisë. Po atë ditë, gjatë dëbimit për në Shqipëri, në Carrabreg të Deçanit, kriminelët serb i vranë 8 banorë të fshatit Kashicë të Istogut.

Ndërmjet 7 dhe 11 majit 1999, në komunën e Gjakovës u vranë mbi 100 martirë, fëmijë, të rinj, gra, burra e pleq, viktima të dhunës gjenocidale të Serbisë në Kosovë.

Për këto krime të rënda, drejtësia ka qenë tepër e ngadaltë. Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, bashkë me kryerësit dhe urdhërdhënësit e tyre, duhet të marrin dënimin e merituar. Kosova nuk mund të falë e as të harrojë krimet që shteti i Serbisë kreu gjatë luftës në Kosovë. Sepse Serbia e deshi tokën tonë pa neve. Por ne jemi ende këtu, dhe së bashku po e forcojmë Republikën tonë. Po ndërtojmë të ardhmen pa e harruar të kaluarën, që asnjë brez tjetër të mos rrezikojë të përjetojë atë që ne kemi mbijetuar.

Sot kujtojmë martirët e Qyshkut, Zahaqit, Pavlanit dhe Llabjanit. Çdo ditë kujtojmë sakrificat e mëdha për çlirim.

Lavdi të gjithë të rënëve, martirëve e dëshmorëve të kombit!”

A duhet partitë ta paraqesin nga një emër për president para zgjedhjeve të qershorit?

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, aty ku gjendet edhe Presidenca e Kosovës.

 

Derisa Kosova po përgatitet për zgjedhjet e reja parlamentare, që u shkaktuan nga dështimi i Kuvendit për ta zgjedhur kreun e ri të shtetit, çështja e presidentit mbetet një nga nyjat kryesore politike pa zgjidhje. A rrezikon Kosova të përballet me një tjetër krizë politike menjëherë pas zgjedhjeve?

 

Moszgjedhja e kreut të ri të shtetit në Kosovë shtoi paqëndrueshmërinë institucionale në vend këtë vit, duke nxitur zgjedhje të reja parlamentare pas një viti të humbur më 2025.

Dhe, ky jostabilitet mund të thellohet në mungesë të kandidatëve të qartë për postin e presidentit, dhe të pagatishmërisë së partive politike për të bërë lëshime.

Pavarësisht se nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, a do të mundë të lehtësohej emërimi i një presidenti të ri nëse partitë paraqesin nga një kandidat para zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit?

Cilat parti kanë paraqitur kandidat për president?

Vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në opozitë ka bërë të ditur se bartësja e listës së saj zgjedhore, Vjosa Osmani, në kuadër të një bashkëpunimi parazgjedhor, do të jetë kandidate e saj për presidente.

Osmani kërkon një mandat të dytë në krye të shtetit, pas dështimit për t’u rikandiduar në prill.

Partitë e tjera të mëdha, si Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet dhe partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk kanë paraqitur kandidatë.

Derisa partitë nuk janë të obliguara ta paraqesin ndonjë kandidat për president para zgjedhjeve, ato do të duhej të zotoheshin së paku për karakteristikat e profilit të kandidatit për president, apo për parimet të cilat do t’i udhëhiqnin në arritjen e një konsensusi politik, thotë Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike në Kosovë.

“Duhet t’i sqarojnë saktë rrethanat në të cilat ata do të ishin dakord për një president, dhe cilat karakteristika duhet t’i ketë ai president, në mënyrë që të shmangen sërish zgjedhjet. Në bazë të këtij zotimi pastaj mund të kërkohet llogaridhënie prej tyre pas zgjedhjeve”, shprehet Maliqi për Radon Evropa e Lirë (REL).

Në praktikë, kjo do të nënkuptonte më shumë transparencë politike para zgjedhjeve dhe më pak improvizim pas tyre.

Ish-presidentja Vjosa Osmani dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit më 10 maj, kur LDK-ja e paraqiti Osmanin si kandidate për presidente.

Ish-presidentja Vjosa Osmani dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit më 10 maj, kur LDK-ja e paraqiti Osmanin si kandidate për presidente.

Pse LDK po, e partitë e tjera jo?

As partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e as PDK-ja nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it nëse do ta bëjnë të ditur ndonjë kandidat të tyrin për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

Maliqi beson se LDK-ja e paraqiti kandidatin për shkak të “rrethanave specifike” të ish-presidentes Osmani, ndërsa partitë e tjera nuk po e bëjnë sepse s’e kanë kandidatin e qartë, e as s’e ndiejnë ngutësinë për ta bërë tani.

“Mendoj se LDK-ja e ka bërë, me gjasë, nga bindja se narracioni i viktimizimit të saj nga ana e Kurtit mund të ngjallë emocione te një lloj votuesi, i cili në dhjetor ka votuar për LVV-në për shkak të binomit Kurti-Osmani, dhe jo vetëm për Kurtin”, shpjegon Maliqi.

Edhe sikur të kishte kandidatura tani, sipas Maliqit, ato do të mundë të dukeshin “artificiale”.

Ai argumenton se veçanërisht kur bëhet fjalë për presidentin – në mos edhe për pozita të tjera – do të ketë nevojë për lëshime mes partive.

Sepse zgjedhja e presidentit në Kosovë rrallëherë është proces që zgjidhet nga rezultati elektoral – ajo zakonisht kërkon marrëveshje politike, kompromis dhe lëshime ndërmjet partive.

Pikërisht këtu qëndron problemi kryesor: partitë po hyjnë në zgjedhje pa asnjë marrëveshje minimale për postin që mund ta përcaktojë stabilitetin institucional të vendit për vitet e ardhshme.

Deputetët duke u larguar nga salla plenare pas shpërndarjes së organit ligjvënës më 28 prill.

Deputetët duke u larguar nga salla plenare pas shpërndarjes së organit ligjvënës më 28 prill.

Një proces që kërkon kompromis

Kosova ka vuajtur nga mungesa e kompromiseve mes partive në vitet e fundit dhe zgjedhja e presidentit në këtë kohë duket detyrë jo edhe aq e lehtë.

Vendi e humbi tërë vitin 2025 si pasojë e mosthemelimit të Kuvendit fillimisht, e pastaj të Qeverisë, në mungesë të konsensuseve – dhe zgjedhjet po mbahen sërish brenda një kohe të shkurtër, për shkak të mospajtimeve për presidentin, pa asnjë garanci se çfarë do të ndodhë tutje.

LVV-ja, në pushtet që nga viti 2021, shihet sërish favorite për t’i fituar zgjedhjet, por ajo nuk parashihet t’i marrë vetë 80 vende në Kuvendin me 120 sosh.

Që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm, nevojitet prania e 2/3 të të gjithë deputetëve në Kuvend.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosovës po i mungon një debat i mirëfilltë politik ndërmjet pozitës dhe opozitës për tema strategjike shtetërore, përfshirë edhe çështjen e presidentit.

“Në këtë aspekt, zgjedhja e presidentit në Kosovë duhet të shihet si proces që kërkon komunikim politik, kompromis demokratik, dhe transparencë ndaj publikut, e jo si çështje që adresohet përmes listave të dëshirave apo imponimit”, thekson Miftaraj.

Për të gjitha krizat institucionale brenda një viti e gjysmë, partia në pushtet dhe ato në opozitë e kanë fajësuar njëra-tjetrën.

Në fund, presidenti i ardhshëm mund të mos përcaktohet nga emrat që partitë shpallin para zgjedhjeve, por nga gatishmëria e tyre për kompromis kur të përballen me realitetin parlamentar pas 7 qershorit.

Deri në zgjedhjen e presidentit, funksionin do të vazhdojë ta ushtrojë Albulena Haxhiu, detyra gjashtëmujore e së cilës zgjat më së largu deri në tetor.

Skandal në Kosovë! Zv.ministri i Financave dhunohet nga kryetari i Komunës Skënderaj. Sami Lushtaku mohon përfshirjen në ngjarje: Reagimi erdhi nga qytetarët

• Një incident i rëndë ka ndodhur në Kosovë, ku Zv.ministri i Financave është dhunuar brutalisht nga kryetari i Komunës Skënderaj. • Hysni Mehani i cili është kryetar i LVV-së në Skenderaj dhe zëvendësministër në detyrë i Financave ka denoncuar se është dhunuar nga kryetari i Komunës të Skënderajt, Sami Lushtaku, i cili është pjesë e PDK-së. • Mehani e ka bërë të ditur këtë rast përmes një postimi në rrjetin social të mikut të tij, Bahri Zabeli, pasi pretendon se personat të cilët e kanë dhunuar i kanë marrë edhe telefonin. • Ai ka shkruar se është sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij, ndërsa i bën thirrje policisë të mbrojë familjen e tij. • Pas kësaj ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila dënoi ashpër këtë sulm fizik. • Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lëvizja Vetëvendosje informoi se Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor, ndërsa kërkuan nga organet kompetente të trajtojnë rastin me urgjencë dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve. • Gjithashtu kërkuan nga Partia Demokratike e Kosovës dënimin e këtij akti. I shpejtë ka qene edhe reagimi i kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku. • Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai është shprehur se është provokuar duke i thirrur “Sami Serbia” dhe kanë tentuar ta sulmojnë. • Ai pretendon se reagimi i dhunshëm ka ndodhur nga qytetarët që ndodheshin aty në ato momente. • Deri tani nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me rastin nga Policia e Kosovës. dosja.al

Dalin nga miniera minatorët që ishin bllokuar në Stantërg

Radio Evropa e Lirë

Tetëmbëdhjetë minatorët, që ishin ngujuar për disa orë në minierën e Stantërgut kanë dalë nga miniera, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Gani Osmani, përfaqësues i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës.

Minatorët ishin bllokuar qindra metra nën tokë që nga ora 01:30 e mëngjesit të 14 majit, njoftoi më herët gjiganti metalurgjik Trepça, pasi kishte pasur ndërprerje të energjisë elektrike.

Ndërmarrja tha se në momentin e ndërprerjes së rrymës në minierë ishin 47 punëtorë, teksa 29 prej tyre arritën të largoheshin dhe të dilnin mbi sipërfaqen e tokës.

“Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës, ndërsa si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Po ashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet tjera përcjellëse në trafostacion”, u tha në njoftim.

Ndërmarrja tha se punëtorët e bllokuar në Stantërg – që gjendet afër Mitrovicës – janë të sigurt, teksa ekipet po punojnë për rikthimin e furnizimit të energjisë elektrike.

Më herët Osmani nga Sindikata e Punëtorëve të Trepçës tha se ekipi i shpëtimit është në gjendje gatishmërie, ekip që funksionon në kuadër të kombinatit.

“Jemi duke komunikuar me minatorët, gjendja e tyre është stabile. Ekipi është gati për reagim apo për t’iu dërguar ushqim, por pritet që shpejtë të rregullohet problemi me energji elektrike”, deklaroi më herët ai.

Sipas Osmanit, ekipet e Trepçës dhe Kompanisë për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), po punonin për të ndrequr problemin në mënyrë që të minatorët të dalin më ashensorë.

“..sepse për të dal në këmbë terreni është i papërshtatshëm. Janë mbi 800 metra përpjetë, shkallë, ka shumë pluhur, nuk është lehtë të dilet në këmbë”, u shpreh ai.

Edhe në të kaluarën, në minierat e Trepçës ishin ngujuar minatorë, për shkak të problemeve me energji elektrike, por edhe telasheve të tjera. Shembull, më 2023 për shkak të një defekti të energjisë elektrike në një ashensor, disa minatorë kishin mbetur qindra metra nën tokë për disa orë.

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Sindikatat e minatorëve shpesh janë ankuar se minatorët punojnë pa mjete adekuate pune dhe në kushte të rrezikshme.


Send this to a friend