LDK-ja DUHET T’I KTHEHET ANËTARËSISË
Partia historike e Kosovës, arritja më e sinqertë dhe vlera më e kristaltë e fatit politik të popullit shqiptar në Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare, Lidhja Demokratike e Kosovës, tash e më shumë se një dekadë po përjeton një krizë të rëndë, të panevojshme dhe të turpshme. Përgjegjësia bie mbi udhëheqjen e saj më të lartë, e cila, pa meritë politike e morale, ka uzurpuar drejtimin e partisë dhe po e rrënon, dita-ditës, bërthamën demokratike të LDK-së, njëherësh edhe shtyllën më të fortë të demokracisë shqiptare në Kosovë.
Kurora e kësaj krize u pa qartë në zgjedhjet e fundit komunale dhe republikane. LDK-ja jo vetëm që ra në pozitën e tretë, por humbi në mënyrë të mjerueshme substancën e saj elektorale, duke pësuar goditjen më të rëndë në historinë e saj politike.
Kjo është gjendja reale e LDK-së. Pikërisht për këtë arsye reagimet e shumta të anëtarësisë dhe të strukturave partiake janë të drejta, legjitime dhe të domosdoshme. Situata mund të bëhet fatale nëse përgjegjësit, në të gjitha hallkat e organizimit partiak, vazhdojnë të bëjnë sikur nuk e kuptojnë se janë bartësit kryesorë të përgjegjësisë për humbjen e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026. Ata duhet të marrin përgjegjësi politike e morale dhe t’i hapin rrugë një procesi të ri zgjedhor, nga kryetari Lumir Abdixhiku e deri te aktivet më të vogla lokale.
Nuk ka rrugë tjetër. Zgjidhja është vetëm një: zgjedhje të reja të brendshme, me votën e lirë të anëtarësisë, sipas parimit demokratik “Një anëtar – një votë.”
Prandaj nuk është rastësi që degët e LDK-së, këto ditë, njëra pas tjetrës, po ngrihen në mbrojtje të demokracisë së brendshme dhe po kërkojnë hapjen e menjëhershme të procesit zgjedhor.
Kërkesa e tyre është e prerë:
“Me unanimitet të anëtarëve të Kryesisë së Degës u vendos që Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i hyjë procesit të përgjithshëm zgjedhor, nga nëndegët deri te Kryetari.”
Kjo është një kërkesë plotësisht legjitime dhe e parefuzueshme. Kryesia Qendrore e LDK-së duhet ta miratojë menjëherë, pa asnjë vonesë. Data 15 gusht duhet të shpallet dita e nisjes së procesit zgjedhor në të gjitha strukturat e partisë, ndërsa nga 30 gushti deri më 15 tetor të zhvillohen zgjedhjet në degë. Më së largu deri në fund të tetorit duhet të konstituohet Këshilli i Përgjithshëm dhe të zgjidhet Kryesia e re Qendrore e LDK-së.
Reagimet dhe kërkesat e degëve duhet t’i pranojë dhe t’i mbështesë personalisht kryetari Lumir Abdixhiku, pa u fshehur pas debateve e polemikave mediatike. Ai e mori drejtimin e LDK-së duke premtuar reformë të thellë partiake, rikthim te demokracia e brendshme dhe zbatim të vullnetit rugovian të anëtarësisë. Prandaj nuk ka të drejtë morale ta nxjerrë LDK-në nga autostrada politike e Ibrahim Rugovës për ta futur në rrugica të improvizuara, pa orientim e pa perspektivë, që nuk shpijnë askund.
Koha e arsyetimeve ka përfunduar. Ka ardhur koha e përgjegjësisë. Nëse LDK-ja dëshiron të mbijetojë si parti historike dhe si shpresë politike e shqiptarëve, ajo duhet t’i kthehet menjëherë pronarit të saj të vetëm: anëtarësisë.
Skënder Zogaj
Veteran i LDK-së dhe themelues e kryetar i parë i Degës së parë të LDK-së në Fushë Kosovë.