VOAL

VOAL

Intervista – Zyrtari i DASH: Përkushtim i palëkundur për SPAK e BKH

October 22, 2019

Komentet

Intervista- Kupchan: Pas dështimeve globale, Trump mund t’u kthehet Kosovës dhe Serbisë

Valona Tela

Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA, thotë se deklarata e fundit e presidentit amerikan, Donald Trump, për Kosovën dhe Serbinë, duhet parë në kontekstin e një lideri që po përpiqet ta rikthejë vëmendjen e opinionit publik mbi rolin e tij si “negociator i shkëlqyer”.

Sipas tij, premtimet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, nuk janë pasqyruar në realitet, pasi luftërat vazhdojnë me intensitet dhe aktorët kryesorë nuk tregojnë shenja gatishmërie për kompromis.

“Thënë kjo, meqë nuk po arrin shumë rezultate në Lindjen e Mesme dhe në diplomacinë me Ukrainën dhe Rusinë, ai mund ta kthejë vëmendjen nga Kosova dhe Serbia dhe të përpiqet të arrijë ndonjë fitore”, thotë Kupchan në intervistën dhënë Radio Evropa e Lirë.

Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, thotë po ashtu se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, “mund ta ketë tepruar me përdorimin e kartës nacionaliste”.

Ai i sugjeron një qasje më pragmatike, që, siç thotë, do ta ndihmonte Kosovën t’i avanconte interesat e saj.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti Trump tha së voni se ai ka ndaluar një luftë mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë presidencial dhe ka premtuar se “do ta rregullojë këtë sërish”. Sipas jush, sa e saktë është kjo deklaratë dhe çfarë ndikimi kishin përpjekjet diplomatike të SHBA-së në vitin 2020 në terren?

Charles Kupchan: Mendoj se postimin e Trumpit duhet parë në kontekstin e një presidenti që ndien se pretendimet e tij se është negociator i shkëlqyer, po vihen në dyshim.

Ai ka thënë se do t’i japë fund luftës në Ukrainë për 24 orë dhe se do ta ndalë luftën në Lindjen e Mesme, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon me intensitet, [presidenti rus, Vladimir] Putin nuk jep asnjë shenjë se është i gatshëm të negociojë me mirëbesim, ndërsa Izraeli jo vetëm që vazhdon luftën kundër Hamasit në Gazë, por ka hapur edhe një front të ri me Iranin.

Ndaj, mendoj se Trump po përpiqej të rikujtonte opinionin publik për arritjet e tij të mëparshme. Por, edhe në këtë rast, ku përmendi Kosovën dhe Serbinë, ai, kryesisht, i ngatërroi faktet, sepse Kosova dhe Serbia nuk ishin në luftë – ato nuk ishin në luftë që nga viti 1999.

A pati sukses administrata Trump, me [të dërguarin për dialogun Kosovë-Serbi, Richard] Grenell, në avancimin e një marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë? Po. A arritën ata të ndërmjetësojnë një marrëveshje që Kosova të krijojë marrëdhënie diplomatike me Izraelin? Po.

Këto nuk janë të parëndësishme. Por, ideja se Trump – në njëfarë mënyre – ka shmangur ose i ka dhënë fund luftës, është thjesht e pasaktë.

Kosova dhe Serbia – “më të menaxhueshme”

Radio Evropa e Lirë: Marrë parasysh atë që sapo thatë edhe ju – se Trump, deri më tani, nuk ka arritur ndonjë sukses në zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë dhe tani përballet edhe me tensione midis Izraelit dhe Iranit – a shihni ndonjë mundësi që ai të kthehet te procesi Kosovë-Serbi, si një fushë më e menaxhueshme e politikës së jashtme?

Charles Kupchan: Po, mendoj se kjo nuk përjashtohet fare. Trump, tani, ka shumë punë. Ka luftën e madhe në Ukrainë, luftën e madhe në Lindjen e Mesme, ka 17 apo 18 palë negociata të ndryshme për tarifa dhe tregti që vazhdojnë, dhe situata e tij politike brenda vendit është e ndërlikuar, veçanërisht për çështjet e imigracionit dhe dëbimeve.

Kemi parë, po ashtu, dhunë në rrugët e Los Anxhelosit dhe sulme ndaj ligjvënësve në Minesotë. Ndaj, nuk mendoj se Trump apo ekipi i tij kanë shumë kapacitete tani për çështje të tjera.

Thënë kjo, meqë nuk po arrin shumë rezultate në Lindjen e Mesme dhe në diplomacinë me Ukrainën dhe Rusinë, ai mund ta kthejë vëmendjen nga Kosova dhe Serbia dhe të përpiqet të arrijë ndonjë fitore.

A është momenti i duhur për këtë? Me gjasë jo. Sepse situata politike është e paqëndrueshme si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë.

Tani për tani, askush nuk është në pozicion për të bërë kompromise të vështira, por mendoj se në kohën e duhur, Trump mund të rikthehet për të negociuar një marrëveshje dhe për t’i nxitur Serbinë dhe Kosovën që të ecin përpara me marrëveshjen që ndërmjetësoi Bashkimi Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Si do të dukej riangazhimi i tij në mosmarrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë?

Charles Kupchan: Riangazhimi [do të pasqyrohej] me emërimin e Richard Grenellit apo ndonjë përfaqësuesi tjetër special, i cili ose e cila do t’i shpërvilte mëngët dhe do të shkonte në rajon, do të takohej me udhëheqësit atje dhe do të përpiqej t’i shtynte të dyja vendet në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes [drejt normalizimit të marrëdhënieve].

Viteve të fundit, zbatimi ka ngecur thuajse plotësisht. Për këtë arsye, mendoj se do të nevojitet një angazhim i ri nga SHBA-ja dhe presion i ri nga SHBA-ja, në bashkëpunim me BE-në, për të rifilluar dialogun.

“Kurti mund ta ketë tepruar me kartën nacionaliste”

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur deklaratës së Trumpit duke thënë se normalizimi i marrëdhënieve është i mundur, por vetëm nëse SHBA-ja dhe të tjerët e rrisin presionin mbi Serbinë për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura në vitin 2023. A mendoni se Uashingtoni duhet të ndryshojë qasjen e tij dhe të ushtrojë presion më të drejtpërdrejtë mbi Beogradin?

Charles Kupchan: Mendoj se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të bëjnë shumë presion ndaj të dyja palëve. Një nga zhvillimet më pak pozitive për Kosovën gjatë viteve të fundit, sipas mendimit tim, është se kryeministri Kurti mund ta ketë tepruar me përdorimin e kartës nacionaliste. Ai ka ndërmarrë disa hapa [për shtrirjen e autoritetit] në veri, ka hezituar të ndërmarrë hapa për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka bërë edhe veprime të tjera që, në disa aspekte, kanë bërë që Prishtina të duket si problemi, e jo Beogradi.

Prandaj, kemi parë sanksione nga Bashkimi Evropian dhe kritika të forta nga Uashingtoni gjatë administratës Biden.

Mendoj se dialogu është në ngërç dhe do të nevojitet presion i konsiderueshëm mbi të dyja palët për ta shtyrë përpara.

Radio Evropa e Lirë: Kurti më parë ka paraqitur tri kërkesa për normalizimin e marrëdhënieve: dorëzimin e Millan Radoiçiqit nga Serbia, nënshkrimin formal të Marrëveshjes Bazë me Aneksin e Zbatimit, dhe tërheqjen e letrës së dhjetorit 2023 që refuzonte integritetin territorial të Kosovës. Sa realiste dhe efektive i konsideroni këto kërkesa?

Charles Kupchan: Mendoj se dialogu duhet të ecë përpara në faza, hap pas hapi. BE-ja veproi drejt kur ndërmjetësoi marrëveshjen pa kërkuar menjëherë që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Mendoj se e dimë që, në fund, kjo çështje do të përfundojë me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia, por, paraprakisht, secila palë duhet t’i bëjë hapat e nevojshëm, për të treguar vullnet të mirë dhe për të ecur përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

Qeveria e Serbisë e di se, në fund, nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën. Prandaj, çështja tani është se si të krijohet një terren i ri politik, që u jep udhëheqësve në Prishtinë dhe në Beograd guximin dhe mbështetjen e nevojshme për të marrë vendime të vështira – edhe nëse ato nuk janë të pëlqyera në opinionin publik.

Radio Evropa e Lirë: Kurti, po ashtu, ka thënë se SHBA-ja mbetet “partnere e pazëvendësueshme” e Kosovës në mbrojtje, diplomaci dhe zhvillim. Mendoni se Kosova mund të vazhdojë të mbështetet në përkrahjen e fuqishme amerikane, në një kohë kur po ndodhin ripozicionime globale dhe politika e jashtme e Trumpit është më transaksionale?

Charles Kupchan: Në Shtetet e Bashkuara ekziston një mirëbesim i madh ndaj Kosovës, që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 dhe përpjekjet që janë bërë prej atëherë për ta ndihmuar Kosovën të zhvillohet si një demokraci e suksesshme.

A mendoj se gjatë presidencës së Trumpit do të shohim më pak fokus tek Evropa dhe më shumë tek Indo-Paqësori? Po, ka shumë gjasa. Mendoj se Trump e ka bërë të qartë se dëshiron që Evropa të shpenzojë më shumë për mbrojtjen dhe të marrë më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e sfidave në fqinjësinë e saj.

A pres që Trump të tërhiqet krejtësisht nga Evropa? A mendoj se pas katër vjetësh nuk do të ketë më trupa amerikane në Evropë? Jo, nuk e besoj. Mendoj se ajo që do të shohim, do të jetë një riekuilibrim i pranisë, por jo tërheqje.

Dhe, në këtë drejtim, mendoj se Kosova duhet të presë politika të mira dhe një angazhim pozitiv nga Uashingtoni. Ndaj, është në interes të Kosovës dhe të kryeministrit Kurti që të ndjekë politika më mbështetëse për procesin e dialogut.

“Marrëveshja e Ohrit është e mirë – duhen kompromise”

Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh përvojën tuaj të gjatë në çështjet evropiane, si do të dukej një plan real për normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë?

Charles Kupchan: Mendoj se Marrëveshja e Ohrit, e ndërmjetësuar nga BE-ja, është e mirë. Tani, sipas mendimit tim, më shumë bëhet fjalë për zbatimin, sesa për drejtimin që do të marrë procesi më tej.

Në përgjithësi, kur shikoni konflikte të zgjatura si ky, ku të dyja palët janë të ngulitura në pozicionet e tyre, rruga përpara është me hapa të vegjël e gradualë, që tregojnë vullnet të mirë.

Secila palë duhet të bëjë kompromise dhe lëshime që i japin sinjal palës tjetër se dëshiron të bashkëpunojë dhe të avancojë drejt kthimit të armiqve në miq.

Prandaj, mendoj se hapi i ardhshëm duhet të përfshijë një plan pune të detajuar me hapa konkretë. Çfarë do të bëjë Kosova? Çfarë do të bëjë Serbia? Kur do ta bëjnë? Cilët janë hapat që do të ndërmerren për ta çuar Prishtinën dhe Beogradin drejt një marrëveshjeje më të mirë, e cila në fund do të mundësojë normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur…

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të bëjë SHBA-ja për t’i rikthyer palët në tryezën e bisedimeve?

Charles Kupchan: Nën një, SHBA-ja duhet të shfaqet. Duhet të angazhohet. Duhet që diplomatët e saj në rajon të jenë aktivë dhe të punojnë në këtë çështje.

Nën dy, mendoj se duhet një kombinim i duhur i ‘karotave dhe shkopinjve’. Shkopinj për t’u thënë: nëse vonoheni me veprime, nëse bëni gjëra provokuese, atëherë do ta paguani çmimin. Karota për t’u thënë se drita në fund të tunelit ndriçon fuqishëm, dhe ajo dritë tregon se nëse merrni vendime të vështira dhe bëni kompromiset e nevojshme, do të përfundoni plotësisht të integruar në institucionet evropiane dhe atlantike.

Radio Evropa e Lirë: Dhe një pyetje, edhe pse për çështje të brendshme… Kosova nuk i ka formuar ende institucionet e saj që pas zgjedhjeve të shkurtit. Çfarë këshille do t’u jepnit politikanëve kosovarë?

Charles Kupchan: Nga sa kuptoj unë, pengesa kryesore tani ka të bëjë me kryetarin e Kuvendit, me një person të caktuar. Edhe pse Kuvendi është mbledhur disa dhjetëra herë, ai nuk ka arritur të marrë vendim. Dhe, e dini, përbërësi i posaçëm i demokracisë është kompromisi, është dialogu – është ai që e bën demokracinë të funksionojë.

Ndaj, do të inkurajoja Kurtin dhe aleatët e tij politikë, si dhe opozitën, që të pranojnë se nuk mund të vazhdojnë pa qeveri, sepse situata është serioze. Të ulen së bashku dhe të gjejnë një kompromis për të formuar qeverinë dhe për të rifilluar punën në Prishtinë.

Intervista- Merz: Në Iran është një regjim terrori, duhet të mbarojë

“Do të ishte mirë, nëse do t’i vinte fundi këtij regjimi të Mullahëve”.

Kështu ka deklaruar Kancelari gjerman Merz thekson në intervistë për kanalin e medias publike gjermane ARD të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur.

Pjesë nga intervista:

I pyetur nga ARD: Të premten e kaluar një shtet sovran – Izraeli – filloi të bombardojë një tjetër shtet sovran, Iranin. A është kjo një luftë sulmuese?

Friedrich Merz: Ne gjatë gjithë fundjavës jemi konsultuar intensivisht për këtë temë, edhe në samitin e G7 në Kanada kjo ishte një nga temat më të rëndësishme. E pikërisht një ditë më parë miratuam një deklaratë të përbashkët. Në të theksohet edhe njëherë e drejta e Izraelit për vetëmbrojtje dhe përshkruhet karakteri i regjimit të Teheranit, si një regjim, që është në masë të gjerë përgjegjës për terrorin në botë. Nga pikëpamja jonë është e papranueshme që Irani është duke konstruktuar armë atomike. Në këtë kontekst Izraeli po vë në veprim të drejtën e vet për vetëmbrojtje duke e marrë vet këtë përgjegjësi.

ARD: Izraeli argumenton me një goditje preventive. Një kusht i rëndësisihëm për këtë është, që një sulm i pritshëm së shpejti. A keni telefonuar natën e sulmit me Benjamin Netanjahun. Ka ndarë ai argumenta, se një sulm nga Irani pritet së shpejti?

Friedrich Merz: Këto argumenta janë dhënë qysh një ditë përpara. Nga Autoriteti Ndërkombëtar për Energjinë Bërthamore pati një deklaratë, që Irani sërish nuk e respektoi, për të garantuar aksesin në të gjitha impiantet e pasurimit të uraniumit, të cilat janë të shpërndara në mbarë vendin. Irani menjëherë pas kësaj deklaroi, se do ta vazhdojë edhe më intensivisht procesin e pasurimit të uraniumit.

ARD: Por a është kjo një arësye për luftë. Për në fundjavë ishin planifikuar bisedime me SHBA-në?

Friedrich Merz: Ky është një vendim i qeverisë izraelite, vendim që ajo e ka marrë brenda kompetencave të veta dhe me përgjëgjësinë e vet. Por me sa duket Izraeli kërcënimin e ka marrë aq seriozisht, sa kjo e ka shtyrë të vendosë për këtë përgjigje ushtarake. Ky vend ka të drejtën të vetëmbrohet. Nëse qeveria izraelite e konsideroi se kishte ardhur momenti, atëherë nuk kam përse ta kundërshtoj këtë.

ARD: Sepse ka shumë vende, që ndihen të kërcënuar nga një vend tjetër: A ju preokupon fakti, që e drejta ndërkombëtare po shkelet përmes së drejtës së më të fortit?

Friedrich Merz: Kjo është një stiuatë e veçantë, që po e shohim prej vitesh në Lindjen e Mesme. Izraeli është i rrethuar nga vende, shumica e të cilëve e vlerësojnë si doktrinë shtetërore asgjësimin e shtetit të Izraelit. Vendi që prej dekadash e ka nxjerrë më së shumti në pah këtë, është Irani dhe regjimi i mullahëve. Izraeli ka qenë i kërcënuar dhe nga programi për armët bërthamore është ndierë dyfish i kërcënuar. Ne bashkarisht një ditë më parë përcaktuam, se Irani nuk duhet të posedojë armë atomike dhe këtë e kemi vendosur në një kontekst me të drejtën për vetëmbrojtje të shtetit të Izraelit.

ARD: Në ç`mënyrë mund t’i jepet fund programit për armët bërthamore: ushtarakisht apo përmes bisedimeve?

Friedrich Merz: Gjendja katër ditët e fundit ka ndryshuar dukshëm. Tani është dhënë një përgjigje ushtarake, pasi përpjekjet diplomatike prej dekadash kanë dështuar. SHBA para disa vitesh u tërhoqën nga bisedimet, ndërsa europianët vazhduan, me shpresën që ndoshta do të ketë lëvizje për më mirë. Kjo shpresë herën e fundit u zhgënjye rëndë.

ARD: Kryeministri izraelit Netanjahu tha: Kjo krizë mund të marrë fund, duke vrarë Ajatollah Ali Chamenei. A bashkoheni me këtë vlerësim?

Frieedrich Merz: Ky është një vlerësim i kryeministrit izraelit, ashtu sikurse e ka deklaruar. Ndoshta ka pasur një shkas, që e ka bërë publike këtë. Sidoqoftë do të ishte mirë, nëse ky regjim në Iran të mos ketë më influencë në të ardhmen në vend, pasi atje ka një numër të madh njerëzish, që prej kohësh duan të çlirohen nga zgjedha e këtij regjimi. Ne kemi të bëjmë me një regjim terrori – nga brenda dhe jashtë vendit. Do të ishte mire, që këtij regjimi t’i vijë fundi./ DW

 

Intervista- Hill: SHBA-ja nuk do të ndërhyjë më si dikur – Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin vetë problemet

“Koha e ankesave ka mbaruar”: Hill kërkon më shumë përgjegjësi nga Kosova

 

Valona Tela

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, nuk pret që SHBA-ja të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve në Ballkan, përfshirë kontestin mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka bërë në të kaluarën.

Sipas tij, ky rajon nuk është prioritet ditor për SHBA-në dhe zgjidhjet duhet të vijnë nga brenda.

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë.

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë.

“Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në Evropë, por njerëzit në Ballkan duhet të kuptojnë se në pjesë të tjera të botës, po ndodhin gjëra të tjera. Ndaj, nuk duhet të presin që njerëzit t’i lënë mënjanë problemet me të cilat po merren, qoftë në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, dhe të thonë: Në rregull, Kosovë, do të mundohemi të të ndihmojmë me këtë”, thotë Hill në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ai thekson se Kosova duhet ta çojë përpara themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thotë se edhe Serbia ka punë për të bërë, por nënvizon se ajo është duke ndihmuar Ukrainën – prioritetin kryesor në Evropë, sipas tij.

“Fakti që po mundohemi t’i menaxhojmë disa nga interesat tona me Serbinë, nuk do të thotë që jemi kundër Kosovës. Ne kemi shumë interesa edhe në Kosovë”, thotë Hill.

BE-ja të angazhohet më shumë

Radio Evropa e Lirë: Ambasador Hill, jemi këtu në GLOBSEC 2025 në Pragë, ku tema kryesore janë siguria globale dhe përgjegjësia transatlantike. Si e shihni pozicionin e Ballkanit Perëndimor në strategjinë më të gjerë evropiane dhe çfarë roli mund të luajë Kosova në këtë kontekst?

Christopher Hill: Para së gjithash, mendoj se është shumë e qartë se Bashkimi Evropian e di se ka disa punë të papërfunduara, dhe se këto punë të papërfunduara janë në Ballkan. Mendoj se tani, ata [BE-ja] janë duke vlerësuar se si t’i përcaktojnë anëtarët e rinj. A t’i pranojnë një nga një, apo njëherazi? Ka shumë sfida dhe, sigurisht, janë duke marrë në konsideratë edhe çështjet e përafrimit.

Mendoj se Bashkimi Evropian duhet vërtet të angazhohet më shumë dhe të përfundojë disa punë të papërfunduara. Besoj se këtë po e shohim tani.

Radio Evropa e Lirë: Dje [12 qershor], këtu në GLOBSEC, thatë se është e vështirë të parashikohet politika e [presidentit amerikan, Donald] Trump, por unë prapë do të pyes: Çfarë lloj qasjeje duhet të presë Kosova nga administrata e tij e dytë?

Christopher Hill: Mendoj se do të ketë një përpjekje nga SHBA-ja për t’i nxitur vendet e Ballkanit që të fillojnë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Mendoj se koha kur vendet vinin te ne ose te ndonjë shtet perëndimor evropian për t’u ankuar për fqinjët e tyre, [ka mbaruar] dhe njerëzit janë lodhur nga kjo.

Dhe çështja kryesore, sigurisht, është se në botë po ndodhin edhe gjëra të tjera. Nuk jetojmë më në vitet 1990. Jemi në një epokë shumë ndryshe.

Sigurisht, e kuptojmë çështjen e Izraelit, problemin e madh me Iranin, që është enorm, çështjen e Gazës… dhe natyrisht për Evropën është çështja e Ukrainës dhe ajo që të gjithë po bëjmë për Ukrainën…

Ndaj, mendoj se koha kur një vend i Ballkanit vinte te ne për t’u ankuar për një vend tjetër të Ballkanit, [ka mbaruar], sepse njerëzit nuk kanë më kohë për këto gjëra. Ata duan të shohin modele bashkëpunimi brenda rajonit, dhe jo një vend që shkon te ndonjë anëtar i preferuar i komunitetit ndërkombëtar dhe i thotë: Na ndihmo!

Kosova dhe të gjitha vendet e Ballkanit t’i zgjidhin vetë problemet

Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara, historikisht, kanë qenë një nga aleatët kryesorë dhe më të fortë të Kosovës. A prisni që kjo të vazhdojë kështu, apo parashikoni ndonjë ndryshim në ton a prioritet?

Christopher Hill: Mendoj se, deri diku, kjo varet nga ajo që njerëzit në Kosovë duan të bëjnë. Mund të them se këto çështje në Ballkan janë shumë komplekse, por kompleksiteti i tyre e tejkalon interesin e njerëzve për t’i kuptuar.

Të shkosh në SHBA dhe të thuash: “I kemi të gjitha këto probleme me fqinjët tanë”, njerëzit do të përgjigjen: “Shikoni, të gjithë kanë probleme, zgjidhini vetë”.

Mendoj se pritjet janë që – pa pasur domosdoshmërisht ndërmjetës çdo ditë, pa u mbështetur gjithmonë në organizata joqeveritare apo miq – njerëzit të përpiqen vetë t’i zgjidhin problemet me fqinjët e tyre të afërt, sepse komuniteti ndërkombëtar, thjesht, është përqendruar në çështje të tjera.

Nuk po them që Ballkani nuk është i rëndësishëm. Siç e thashë, Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në Evropë, por njerëzit në Ballkan duhet të kuptojnë se në pjesë të tjera të botës, po ndodhin gjëra të tjera. Ndaj, nuk duhet të presin që njerëzit t’i lënë mënjanë problemet me të cilat po merren, qoftë në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, dhe të thonë: “Në rregull, Kosovë, do të mundohemi të të ndihmojmë me këtë”.

Kosova, ashtu si të gjitha vendet e Ballkanit, duhet vërtet të marrë përgjegjësi dhe t’i zgjidhë vetë problemet e saj.

Nuk mjaftojnë vetëm gjestet simbolike

Radio Evropa e Lirë: Së voni, Qeveria në detyrë e Kosovës ra dakord të strehojë përkohësisht deri në 50 migrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një marrëveshjeje për zhvendosje në një vend të tretë. Çfarë tregon ky veprim për afërsinë e Kosovës me interesat amerikane?

Christopher Hill: Mendoj se kjo tregon se Kosova ka interes të përafrohet me SHBA-në dhe të tregojë gatishmëri për ta ndihmuar atë në sfidat e saj.

Por, dua të theksoj se gjestet e tilla simbolike janë shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Megjithatë, duhet të shoqërohen me një qasje më të gjerë, e cila siguron se Kosova nuk është në listën e problemeve.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni në diçka konkrete?

Christopher Hill: Nuk kam diçka konkrete në mendje, përveç faktit që tashmë kanë kaluar mbi 25 vjet nga viti 1999 dhe duhet të them se e shoh si shumë zhgënjyese që është arritur kaq pak gjatë këtyre 25 vjetëve.

SHBA-ja më pak e angazhuar në Ballkan

Radio Evropa e Lirë: A prisni që Shtetet e Bashkuara të kenë një rol aktiv në lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, apo do të ishte më efektive të lihej BE-ja të udhëheqë?

Christopher Hill: Mendoj se SHBA-ja, prej vitesh, ka thënë se kjo është një çështje që, realisht, duhet ta zgjidhin evropianët. SHBA-ja ka pasur një të dërguar të posaçëm për disa vite, por, në rrethanat aktuale, do të prisja një angazhim më të kufizuar të drejtpërdrejtë, krahasuar me të kaluarën.

Prandaj, mendoj se ideja që SHBA-ja të jetë e përfshirë plotësisht çdo ditë në Ballkan, do të ndryshojë shumë. Do të shihni interesa biznesore të SHBA-së në Ballkan, do të ketë edhe aktivitete diplomatike, pa dyshim. Por, nuk do të prisja që SHBA-ja të ndërhynte dhe të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të njerëzve. Njerëzit do t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Keni thënë më herët se Qeveria e Kosovës mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për mungesën e përparimit në dialog. Për cilat veprime ose vendime specifike e kishit fjalën?

Christopher Hill: Kur mendoj për përgjegjësitë për adresimin e gjërave, mendoj në Marrëveshjen drejt normalizimit – të ashtuquajturën Marrëveshje e Ohrit – e cila mendoj se është një marrëveshje shumë e drejtë, e punuar me shumë kujdes me ndihmën e zotit [Mirosllav] Lajçak [ish-i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi].

Dhe, është mjaft zhgënjyese që nuk arrijmë të kuptojmë apo nuk arrijmë në pikën ku biem dakord për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ai bllokohet me çështje që janë më shumë propagandistike sesa reale, si për shembull: kush ka nënshkruar çka, dhe ngjashëm…

Ne duhet ta shohim atë marrëveshje të realizuar plotësisht dhe pjesë e saj është edhe ideja që serbëve në veri të Mitrovicës t’u garantohet një autonomi e kufizuar. Bëhet fjalë për një asociacion që merret me çështje si arsimi dhe spitalet, pra tema të kësaj natyre.

Modele të tilla ka në gjithë botën, sidomos në Evropë. Dhe, që kur kryeministri i atëhershëm [i Kosovës, Hashim] Thaçi e ka nënshkruar atë, ajo është dashur të zbatohet.

Pra, kjo është një çështje, por nuk po them se vetëm Kosova ka probleme. Edhe vendet e tjera, përfshirë Serbinë, duhet ta bëjnë pjesën e tyre.

Por, konkretisht, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, Kosova duhet të përqendrohet tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe të vazhdojë përpara prej aty. Serbia nuk po e sfidon territorin e Kosovës. Në fakt, të gjithë njerëzit në Ballkan flasin për territor, flasin për tokë. Por, problemi i vërtetë në Ballkan, që njerëzit duhet ta kuptojnë, nuk është toka – janë njerëzit.

Është çështje e thjeshtë: A duan njerëzit në Ballkan të qëndrojnë aty, apo duan të largohen diku tjetër? Deri më tani, vazhdon të ketë një valë emigrimi. Nuk është çështje toke – tokë ka mjaft. Problemi është nëse njerëzit duan të jetojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre në Ballkan.

Flasim për normalizim, jo për njohje të ndërsjellë

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Serbia po bën mjaftueshëm [për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën]?

Christopher Hill: Mendoj se të gjithë kanë përgjegjësi. Por, koha kur të huajt thoshin ‘po bëni mjaft’ apo ‘nuk po bëni sa duhet’ [ka kaluar] – nuk do të hyj në atë debat. Besoj se secili e di mirë se çfarë duhet të bëjë.

Radio Evropa e Lirë: Në vitin 2021 keni thënë se njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë do ta zhbllokonte potencialin evropian të Serbisë…

Christopher Hill: Nuk mendoj se e kam thënë unë këtë. Mendoj se e ka thënë dikush tjetër. Ne nuk kemi folur për njohje të ndërsjellë, kemi folur për normalizim. Kjo është ajo që është në tryezë.

Radio Evropa e Lirë: Më herët ka qenë njohja e ndërsjellë…

Christopher Hill: Po flasim për normalizimin. Ky ka qenë pozicioni i BE-së dhe ne e kemi mbështetur BE-në në këtë.

Radio Evropa e Lirë: Gjatë kohës sa keni qenë ambasador në Serbi…

Christopher Hill: Sërish, dua të jem shumë i qartë për këtë. Kjo nuk ka të bëjë me slogane… Nuk është çështja se kush më pëlqen dhe kush jo. Kjo ka të bëjë me përpjekjen për t’i zgjidhur problemet. Mendoj se Bashkimi Evropian ka paraqitur një propozim shumë serioz në Ohër, dhe kjo është çështja në tryezë që duhet të trajtohet.

Radio Evropa e Lirë: Vëzhguesit në rajon, veçanërisht në Kosovë, e kanë parë qasjen tuaj si tepër të favorshme ndaj presidentit serb [Aleksandar] Vuçiq. Si do t’iu përgjigjeshit?

Christopher Hill: Qasja ime është të veproj sipas mënyrës se si Qeveria e SHBA-së dëshiron që çështjet të trajtohen. Ne kemi shumë interesa në Serbi që nuk kanë të bëjnë fare me Kosovën.

Serbia ka ndihmuar në çështjen e Ukrainës dhe ne duam që ky bashkëpunim të vazhdojë. Por, fakti që po mundohemi t’i menaxhojmë disa nga interesat tona me Serbinë, nuk do të thotë që jemi kundër Kosovës. Ne kemi shumë interesa edhe në Kosovë.

Prandaj, do të isha i kujdesshëm me idenë që fuqitë e mëdha po zgjedhin mes vendeve. Ne nuk jemi të interesuar për këtë. Duam që situata të qetësohet. Mendojmë se qasja e Bashkimit Evropian ishte e drejtë dhe do të dëshironim që kjo qasje të ndiqej.

Serbia po ndihmon Ukrainën

Radio Evropa e Lirë: Nëse nuk gaboj, në vitin 2021, ju gjithashtu keni thënë se SHBA-ja duhet t’i tregojë Serbisë se ajo ofron një alternativë më të mirë se Rusia dhe Kina. Por, a ka depërtuar ky mesazh? Sepse, ne vazhdojmë të shohim marrëdhënie të forta midis Serbisë dhe këtyre dy vendeve. Gjithashtu, së voni, Vuçiq ishte në Moskë…

Christopher Hill: Edhe më vonë, Vuçiq ishte në Ukrainë…

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se politika e tij e balancimit është, në fakt, e suksesshme?

Christopher Hill: Do të duhet ta pyesni vetë atë. Unë nuk jam këtu për të kritikuar politikat e tij. As nuk jam këtu për të kritikuar politikat e Kosovës.

Nga këndvështrimi i SHBA-së, ne duam që vendet të jenë ndihmuese në çështjet kryesore të kohës sonë.

Çështja kryesore në skenën evropiane në këtë moment është Ukraina. Vendet që janë të gatshme ta ndihmojnë Ukrainën dhe të bashkëpunojnë me të, janë vendet me të cilat ne dëshirojmë të punojmë.

Por, siç e dini, këto janë çështje praktike me të cilat të gjithë duhet të përballemi. Ta bësh Ukrainën një çështje dytësore në raport me problemet më të vjetra, mendoj se është gabim dhe nuk e kap thelbin e çështjes.

Jetojmë në një moment shumë të rrezikshëm në botë dhe Ukraina është një nga ato çështje që duhet të trajtohet me urgjencën më të madhe. Serbia po bën disa hapa në këtë drejtim, prandaj, natyrisht, do të punojmë me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: A jeni befasuar nga vizita e Vuçiqit në Moskë?

Christopher Hill: Më vjen keq, ka ndodhur pas largimit tim. Unë jam larguar nga Beogradi në janar. Mendoj se është parashikuar nga disa njerëz. Janë disa arsye për këtë.

Por, sërish, mendoj se kjo nuk është gjëja për të cilën duhet të shqetësohemi. Ajo që duhet të na shqetësojë, është se kush po e ndihmon Ukrainën dhe kush jo.

Radio Evropa e Lirë: Për t’iu kthyer Kosovës… Aktualisht, Kosova po përballet me një vakum të zgjatur institucional pas zgjedhjeve dhe është në pritje të formimit të udhëheqjes së re parlamentare. Nga këndvështrimi juaj, sa i dëmshëm është ky vakum – si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë të besueshmërisë së Kosovës si partnere ndërkombëtare?

Christopher Hill: Do të thosha që secili e ka politikën e vet. Ne kemi politikën tonë. Politikat tona kanë qenë shumë të ashpra dhe të vështira në muajt e fundit. Pra, nuk jam këtu për të kritikuar Kosovën. Do të duhet të arrijnë një marrëveshje bazuar në atë që mund të pranojnë palët. Nuk është e lehtë.

Unë nuk jam këtu për të kritikuar Kosovën në këtë drejtim. Natyrisht, Kosova duhet të formojë një qeveri. Duhet të ketë stabilitet në qeveri. Por, le ta zgjidhë vetë Kosova këtë çështje. Nuk është puna ime të merrem me këtë ose të shpreh opinionet e mia mbi këtë.

Intervista- Koci: Disa policë të Kosovës përmenden si dëshmitarë nga Serbia në rastin e Arbnor Spahiut

Flaka Zogu

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, dyshohet nga autoritetet serbe për “vrasje të rëndë në Banjskë” – ku një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku – tha avokati i angazhuar nga familja e Spahiut, Arianit Koci, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se si dëshmitarë në rastin e Spahiut, i akuzuar konkretisht për vrasjen e tre sulmuesve serbë që u përleshën me Policinë e Kosovës në fshatin që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës, përmenden disa zyrtarë policorë kosovarë.

Koci tha se mbrojtja tashmë ka dorëzuar ankesën ndaj vendimit për paraburgimin njëmujor.

Spahiu u ndalua më 7 qershor në pikëkalimin kufitar Hungari–Serbi, ndërsa po udhëtonte me familjen nga Gjermania për në Kosovë. Sipas Kocit, kjo ishte hera e parë që Spahiu ka kaluar nëpër Serbi.

Spahiu aktualisht po mbahet në qendrën e paraburgimit në Suboticë, dhe “është mirë dhe është vizituar nga mjeku”.

Koci ka qëndruar këtë javë në Serbi, por nuk e ka takuar Arbnor Spahiun, pasi nuk është i licencuar për të ushtruar avokatinë atje. Ai tha se, deri më tani, Spahiu është vizituar vetëm nga avokati serb, i caktuar sipas detyrës zyrtare, si dhe nga daja i tij, por nuk ka pasur komunikim me familjarë të tjerë.

Sipas Kocit, kallëzimin penal ndaj Spahiut e ka ndërtuar Agjencia serbe e Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), sipas së cilës ish-polici i Kosovës ishte “snjaperist në këtë operacion”.

“Ai snajperin kurrë nuk e ka prekur me dorë, dhe ka qenë shumë i ri në Njësitin Special, dhe pas një kohe të shkurtër është larguar nga Policia, dhe ka shkuar në Gjermani”, tha Koci për REL-in.

Largimin e tij në vitin 2022 nga Policia e kishte konfirmuar më herët për REL-in edhe Policia e Kosovës.

Sipas Kocit, kallëzimi penal ndaj Spahiut është i shkurtër dhe i paarsyetuar.

Ai shtoi se presin që të miratohet ankesa e paraqitur si mbrojtje, në bashkëpunim me avokatin serb, të caktuar sipas detyrës zyrtare. Koci tha se “kjo ka vetëm konotacion politik”.

“Përmenden emrat e pesë-gjashtë personave, të cilët në këtë fazë konsiderohen si dëshmitarë – ata janë të gjithë ish-kolegë të Arbnorit në Polici, të cilët janë në Kosovë”, tha Koci.

Sipas tij, nëse Serbia thotë që “Policia e Kosovës i ka vrarë tre serbë dhe të gjithë policët do të procedohen penalisht, atëherë pse ka një tjetër procedurë penale për [Millan] Radoiçiqin në Serbi?”.

Sipas ligjit në Serbi, “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burgim, ose me burgim të përjetshëm.

Për sulmin në Banjskë – ku, sipas autoriteteve serbe, dyshohet edhe përfshirja e Spahiut – Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.

Këtë javë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi i tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në rastin Banjska.

Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.

Institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të saj dhe atyre që jetojnë në diasporë që të shmangin kalimin nëpër Serbi kur udhëtojnë për në Kosovë.

Ndërkaq, në një reagim të tij në Facebook, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se “sjelljet jonormale të Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohen”.

Intervista- Imer Mushkolaj: Qeveria e unitetit nuk është zgjidhja – partitë po luajnë me durimin e qytetarëve

Arton Konushevci

Por analisti Imer Mushkolaj e konsideron këtë ide si një dalje taktike nga pozicioni i paqartë i LDK-së. Ai thotë se formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse është i pamundur dhe i panevojshëm.

Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai komenton arsyet pse nuk sheh vullnet real për zgjidhje dhe kritikon qasjen e partive ndaj qytetarëve dhe institucioneve.

 

Radio Evropa e Lirë: Zoti Mushkolaj, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka shpalosur sot një agjendë 15-pikëshe, në bazë të së cilës do të punonte një qeveri e unitetit e propozuar nga ai, dhe e cila do t’i përfshinte të gjitha partitë e tjera parlamentare. Si e keni parë ju këtë propozim të Abdixhikut?

Imer Mushkolaj: Unë jam kundër qeverive gjithëpërfshirëse, për shkak se konsiderohet se është e shëndetshme që jo të gjitha partitë të jenë në një qeveri, qoftë ajo e quajtur kalimtare ose e unitetit.

E dyta, konsideroj se zoti Abdixhiku këtë propozimin e vet e ka bërë më shumë me qëllimin që ta ketë një alternativë, ose ta propozojë një alternativë, për shkak të qëndrimit jashtëzakonisht të çuditshëm të LDK-së karshi mundësisë për të bërë koalicion, qoftë me partinë që i ka fituar zgjedhjet – Lëvizjen Vetëvendosje, qoftë me opozitën dhe tash ka dalë me këtë propozim, që, për mua, është i çuditshëm.

Për shkak të qëndrimit të çuditshëm ka dalë me këtë propozim, duke pasur parasysh se LDK-ja në këtë rast është pro që në qeveri të jetë edhe PDK-ja, kushtimisht edhe Vetëvendosja, por është kundër që të bëjë koalicion të veçantë, qoftë me Vetëvendosjen, qoftë me PDK-në, ose partitë e tjera opozitare.

Më tepër është si njëfarë lloj strategjie dalëse prej qëndrimit të LDK-së, sesa përnjëmend një propozim i cili do të mund të mirëpritet nga partitë tjera në Kosovë. Parimisht, nuk ka gjë të keqe që të publikohen, të prezantohen, a të provohet, që të kalojnë ide të tilla.

Por, unë konsideroj se kjo nuk është e mundur. Një qeveri uniteti nuk është e mundur.

Dhe, nëse i lexojmë apo i shohim ato 15 propozime që i ka dhënë LDK-ja, shumicën prej tyre zoti Abdixhiku dhe LDK-ja, do të mund t’i realizonte po të bëhej pjesë e cilësdo qeveri, apo cilitdo koalicion të mundshëm, gjithnjë duke pasur parasysh se në koalicione ose në një koalicionin eventual, LDK-ja, do të merrte pjesën e vet të përgjegjësisë në fusha të caktuara, qoftë ekonomike, qoftë të sigurisë, në mënyrë që t’i realizojë disa nga këto propozime.

Por, duket se LDK-ja, përkatësisht zoti Abdixhiku, nuk ka vullnet që të bëhet pjesë e koalicioneve qeveritare as me pushtetin në detyrë tash, e as me opozitën parlamentare, por paska vullnet që të bëhet pjesë e një qeverie të ashtuquajtur të unitetit, në të cilën bëjnë pjesë edhe pushteti i sotshëm, por edhe opozita aktuale.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Mushkolaj, është e vështirë të formohet tash për tash një qeveri e unitetit?

Imer Mushkolaj: Unë mendoj se, jo sepse është vështirë, por është e pamundur për shkak se nuk ka nevojë të bëhet një gjë e tillë, pavarësisht sfidave të cilat i ka renditur zoti Abdixhiku, përkatësisht LDK-ja, në propozimin e tyre.

Mendoj që këto sfida janë të kalueshme, vetëm se duhet vullnet nga ana e partive politike. Zoti Abdixhiku e ka pasur një ftesë nga VV-ja, nga zoti Kurti që të bëhet pjesë e koalicionit me këtë parti, por e ka refuzuar dhe në anën tjetër ka refuzuar që të jetë pjesë e një qeverie të mundshme, një koalicioni të mundshëm me partitë opozitare.

Nuk kam parë vullnet politik as nga PDK-ja, as nga LDK-ja, nga asnjë parti që të jetësojë një propozim të tillë, pavarësisht se mund të tingëllojë si propozim i mirë edhe në terma praktikë, mbase ndonjëra prej pikave dhe mund të jetë e realizueshme.

Radio Evropa e Lirë: Abdixhiku ka përmendur në këtë 15 pikësh dhe reformat kushtetuese, rindërtimin e partneritetit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rritjen e pagave si dhe zgjidhjen e krizës së energjetike. Vetëm një qeveri e unitetit mund t’i bëjë këto ndryshime?

Imer Mushkolaj: Nuk mund t’i bëjë vetëm një qeveri e unitet, këto mund t’i bëjnë një koalicion qeveritar, i cili thjesht i vendos disa prioritete që gjithë qytetarët e Kosovës tashmë i dinë se cilat janë. Pra, prioritet për zgjidhjen e problemeve që janë shfaqur gjatë viteve të fundit dhe jo domosdoshmërisht, absolutisht jo duke krijuar një qeveri të unitetit për këtë çështje.

Do të thotë çështja e pagave, çështja e energjetikës, e ku e di unë… natyrisht se mund të zgjidhet nga një koalicion qeveritar, pra qeveri e unitetit.

Sa u përket çështjeve pastaj që e prekin Kushtetutën, duhet pasur parasysh se ato çështje nuk është se janë lehtë të realizueshme, lehtë të zgjidhshme, pasi që për to duhet të votojë edhe pakica serbe. Përkatësisht, sistemi i komplikuar që ekziston për ndërrimin e Kushtetutës sonë në njëfarë forme, e bën edhe ashtu domosdoshme njëfarë lloj dialogu paraprak mes partive politike, gjithmonë kur vjen koha për ndërrimin e Kushtetutës.

Zoti Abdixhiku, në propozimin e vet, i ka përfshirë çështjet që thjesht i zgjidh një koalicion qeveritar i përgjegjshëm.

Pa qeveri uniteti ka edhe çështje të tjera të cilat kanë nevojë për një dialog paraprak për të zgjedhur, çfarë është kjo me ndryshimet e nevojshme kushtetuese, kur flasim për mundësinë që të eliminohet ku di unë bllokada aktuale e krijimit të institucioneve ose çështje të tjera.

Radio Evropa e Lire: Zoti Mushkolaj, Abdixhiku tha se një propozim ose një paralajmërim i tillë vjen në një kohë kur vendi është zhytur në një krizë politike. Sa e thellë është kjo krizë?

Imer Mushkolaj: Vendi është zhytur në një krizë politike…sa ka deputetë në Parlament, ka edhe LDK-ja, që kanë përgjegjësinë edhe partitë tjera, varësisht prej numrit të deputetëve në Parlament kush më shumë, e kush më pak.

Fatkeqësia është se subjektet politike, partitë, liderët e këtyre partive politike, nuk janë të interesuar të gjejnë zgjidhje brenda Parlamentit dhe pastaj dalin me plot ide edhe plot propozime, të cilat, prapë po them, mund të tingëllojnë mirë, por që në realitet nuk ka vullnet për tu realizuar, sepse thjesht janë të pa realizueshme.

Situata të tilla në të cilat gjendet Kosova tash në mungesë të krijimit të institucioneve, për fat të keq, kemi pasur edhe më përpara, kriza madje që kanë zgjatur edhe më shumë se kaq.

Kjo nuk do të thotë se krizat e tilla, si kjo tash, duhet amnistuar, ose duhet zvarritur zgjidhjen e tyre, duke e marrë si shembull të kaluarën, por unë besoj shumë që zgjidhja mund të gjendet brenda institucioneve të Kosovës, brenda Kuvendit të Kosovës.

Është çështje tjetër që partitë politike, të gjitha pa përjashtim, po luajnë me durimin e qytetarëve, po luajnë me durimin edhe të votuesve të tyre. Dhe, thjesht, nuk po duan që t’i krijojnë institucionet.

Përndryshe, numrat janë brenda Kuvendit të Kosovës Është totalisht e papërgjegjshme që, në mungesë të vullnetit të tyre për të gjetur një zgjidhje, e cila mund të gjendet, ata shkojnë deri tek deklarimet se kanë të bëjnë me mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Radio Evropa e Lirë: A më afër jemi të gjetja e një zgjidhjeje për formimin e institucioneve, ndonjë koalicioni, apo më afër një procesi të ri të jashtëzakonshëm zgjedhor?

Imer Mushkolaj: Unë besoj që më afër jemi drejt gjetjes së një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve, gjithnjë duke pasur parasysh se njerëzit, qytetarët e Kosovës, kanë votuar tash në shkurt dhe s’kanë nevojë të dalin edhe njëherë të votojnë vetëm për tekat e këtyre politikanëve të papërgjegjshëm, të cilët i kanë marrë votat qytetarëve për të bërë zgjidhje, ndërkohë që po e bllokojnë procesin me qëllim. Ky është bllokimi i procesit me qëllim.

Unë pres që të ketë zgjidhje brenda përbërjes së tanishme të Kuvendit, qoftë për votimin e kryetarit ose kryetares së Kuvendit, qoftë për themelimin pastaj të institucioneve, të qeverisë, në fakt.

Është çështje tjetër se sa stabile dhe sa jetëgjatë mund të jenë këto institucione, që themelohen për shkak se kjo varet edhe prej kombinimeve të mundshme të atyre që do ta përbëjnë koalicionin qeveritar.

Por, zgjidhja ekziston, është në duart e deputetëve dhe partive politike. Vetëm duhet pak më shumë vullnet, edhe pak më pak animozitetet dhe mosdurueshmëri mes partive politike.

Intervista- Martin Dvorak: Retorika agresive nuk është forma e mirë për zgjidhjen e problemeve

Erza Elezaj

Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në infrastrukturë, por ende mbetet peng i mendësisë së pasluftës dhe mungesës së kompromisit. Kështu e përshkruan gjendjen aktuale të vendit ministri çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvorak, në ditën kur Kosova shënon 26-vjetorin e çlirimit.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dvorak, autor i librit “Kosova nën lëkurën time” dhe qytetar nderi i Istogut, thotë se “retorika agresive” dhe mungesa e vullnetit për dialog me serbët po dëmtojnë imazhin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ai bën thirrje për qetësim të situatës, rifillim të dialogut me Serbinë dhe dërgim të sinjaleve pozitive në Bruksel, duke theksuar se “pa kompromis nuk ka anëtarësim në BE”.

Nga viti 1999 deri në vitin 2002, Dvorak shërbeu si administrator i Kombeve të Bashkuara në komunën e Istogut, ku udhëhoqi procesin e rindërtimit pas luftës në Istog, Gjakovë dhe rajonin e Pejës. Ai ka shërbyer gjithashtu në Irak dhe ka përfaqësuar Çekinë në SHBA, Kuvajt dhe Katar. Në qershor të vitit 2021 u emërua zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ndërsa nga maji i vitit 2023 ushtron detyrën e ministrit për Çështjet Evropiane.

Ministri çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvořák, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë në Pragë, më 11 qershor, 2025.

Ministri çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvořák, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë në Pragë, më 11 qershor, 2025.

“Rreth 70 për qind e vendit ishte shkatërruar”

Radio Evropa e Lirë: Zoti Dvorak, 26 vjet më parë keni shkuar në një Kosovë të shkatërruar nga lufta si pjesë e misionit të OKB-së. Cila është pamja e parë që ju vjen në mend kur e kujtoni atë kohë në Pejë dhe në Istog, ku ishit i vendosur?

Martin Dvorak: E dini, ndjenja ime e parë ishte një tronditje e vërtetë, sepse, për herë të parë në jetën time, vizitova një vend që ishte ende në luftë, ose të paktën shumë pak kohë pas luftës. Ju mund ta dini, edhe pse jeni e lindur pas luftës, me aq sa e kuptova. Pra, mund ta dini që rreth 70% e vendit ishte shkatërruar, njerëzit ishin pa çati, pa strehë dhe, natyrisht, asgjë nuk funksiononte, gjithçka ishte shkatërruar.

Qëllimi ynë ishte ta përgatisnim vendin për dimrin që po vinte. Para së gjithash t’u siguronim strehim njerëzve dhe t’u jepnim ujë dhe ushqim, dhe ngadalë, hap pas hapi, të rinisnim ndërtimin e një shteti funksional që nga fillimi.

Kjo ishte detyra jonë dhe veçanërisht Istogu ishte shumë miqësor, shumë specifik, sepse kryetari i komunës [i ndjeri Fadil Ferati]ishte shumë i hapur dhe i moderuar.

Ai ishte burgosur nga serbët dhe kishte lexuar Vaclav Havelin [ish-presidentin çek] gjatë kohës sa ishte në burg, kështu që nga fillimi u bëmë miq shumë të mirë, diskutoja me të.

Ai ishte më shumë filozof sesa kryetar komune apo politikan. Krijuam një marrëdhënie shumë miqësore dhe kjo më ndihmoi shumë që në fillim, kur nisa si administrator i Istogut.

Ndjenja ime është ende e njëjtë, e dua Kosovën, i dua njerëzit e Kosovës dhe me të vërtetë besoj se shumë shpejt do të bëheni pjesë e familjes evropiane.

Kosova, “periudha më e suksesshme e jetës sime”

Radio Evropa e Lirë: Faktikisht, kur ju vizituat Radion Evropa e Lirë, aty ku u takuam për herë të parë, më thatë se Kosova është një vend i veçantë për ju dhe tani e kuptoj pse. Keni shkruar edhe një libër dikur, që quhet “Kosova nën lëkurën time”. Çfarë kishte në Kosovë që la një gjurmë kaq të thellë tek ju?

Martin Dvorak: Siç e thashë, ishte një përvojë jashtëzakonisht e fortë. E thashë edhe para se ta lëshonit kamerën. Për mua, ndoshta ishte periudha më e frytshme dhe më e suksesshme e jetës sime.

Edhe pse isha kryetar i një qyteti çek menjëherë pas revolucionit, ai ishte disi edhe kualifikimi im, dhe u ftova të marr pjesë në këtë mision të OKB-së. Mbaj mend që e përjetova kalimin nga një regjim totalitar në demokratizim dhe demokraci, dhe e njëjta gjë pritej edhe nga unë, edhe nga Kosova në atë kohë.

Por unë, me të vërtetë, e ndjeja që mund të ofroja ndihmë të vërtetë për njerëzit, dhe kjo është ndjenja më e mirë që mund të ketë një politikan. Sepse, zakonisht, ti punon në shërbime publike, prodhon shumë letra, shumë takime, shumë takime të frytshme, por shumë takime për asgjë. Ndërsa këtu, me të vërtetë ndjeja se ajo që po bëja, kishte kuptim, ishte ndihmë konkrete për njerëzit që me të vërtetë kishin nevojë. Dhe, kjo ishte një përvojë formuese për mua.

Do t’ju jap një shembull. Vendosëm, siç e përshkruaj në libër, të bënim një lloj privatizimi. Sepse, pas luftës, serbët u larguan dhe anëtarët e UÇK-së erdhën me kallashnikovë dhe morën dyqanet, gjithçka nëpër qendra tregtare dhe fshatra të Istogut. Pa ndonjë bazë ligjore, thjesht hynin dhe i merrnin për vete.

Unë u thashë: “Jo djem, kjo nuk është ligjore, nuk mund të vazhdojmë kështu. Le ta bëjmë një privatizim zyrtar”. E përgatitëm në të njëjtin stil siç e kishim bërë në Çekosllovaki para 50 vjetësh.

Në atë kohë gjeta edhe një banesë në Istog, dhe çdo mbrëmje ulesha në shesh, në qendër të fshatit, në një kafene dhe bisedoja me djemtë, kosovarët, me një përzierje të gjuhës gjermane, ruse, serbe e angleze… dhe flisnim për jetën.

Natën e fundit para privatizimit, shkova në kafenenë time të preferuar dhe pronari më tha: “Më fal, z. administrator, sot nuk kam kafe për ju, sepse nesër do ta mbyllësh dyqanin tim për privatizim. Por, ju lutem, prisni pesë minuta dhe do të shkoj te fqinjët, ata do ta përgatisin kafen për ju”.

Unë prisja që ata të ishin të nervozuar ose shumë të mërzitur, por ata pranuan gjithçka që kishim përgatitur, sepse e panë që unë po veproja në mënyrë të drejtë dhe ligjore. Kjo për mua ishte një përvojë shumë, shumë e fortë, dhe e mbaj mend këtë moment për një kohë shumë, shumë të gjatë.

“Ajo që s’ka ndryshuar është mendësia e njerëzve”

Radio Evropa e Lirë: Po, dhe siç mund të shihet edhe nga libri juaj i botuar në vitin 2000, nga i cili përmendët edhe historinë, ju i përshkruani fshatrat e djegur, infrastrukturën e shkatërruar dhe gjithashtu komunitetin e traumatizuar, për të cilin po flasim tani. Lufta ishte padyshim e vështirë, por ju e keni vizituar Kosovën edhe më vonë. Kur e shikoni sot, cili transformim ju bie më shumë në sy?

Martin Dvorak: Mahnitëse, mahnitëse. Jam rikthyer pas shtatëmbëdhjetë vjetësh – para dy ose tre vjetësh – dhe e vizitova qytetin dhe fshatin tim të dashur në komunën e Istogut. Pata shumë takime bilaterale me udhëheqësit, administratorët dhe presidenten. Dhe, mund të them që u trondita në kuptimin pozitiv nga përparimi që kishte bërë vendi, të themi sa i përket “hardware-it”.

Dvorak gjatë vizitës në komunën e Istogut më 2023.

Dvorak gjatë vizitës në komunën e Istogut më 2023.

Rrugë krejt të reja, ura, ndërtesa, hapësira publike të reja në qytete dhe fshatra. Vendi duket mahnitshëm.

Ajo që nuk ka ndryshuar aq shumë, është, të themi, “software-i”, mendësia e njerëzve. Ata janë ende, në njëfarë mënyre, në kohën e luftës ose menjëherë pas saj. Ka ende shumë urrejtje, shumë pakënaqësi me situatën aktuale dhe unë përpiqem ta shpjegoj këndvështrimin tim që vendi me të vërtetë ka nevojë ta hapë zemrën për një të ardhme më të mirë, për të mësuar se si të jetojë bashkë me serbët.

E di që ka shumë, shumë arsye pse kjo është e komplikuar, por mendoj se, për momentin, Kosova po humb pozicionin që e kishte fituar me qeveritë e mëparshme, atë të palës që është e hapur për negociata dhe e gatshme të jetojë bashkë me serbët në konfliktin Kosovë-Serbi.

Tani, mendoj se Qeveria kosovare nuk po tregon mjaft vullnet të mirë dhe hapje për ta udhëhequr dialogun dhe për të gjetur një zgjidhje të mirëfilltë.

Kjo është ndjenja ime personale dhe jam në kontakt me shumë njerëz në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm në Kosovë apo Serbi, por edhe në disa shtete të tjera, dhe jam një nga ata që me të vërtetë e mbështesin zgjerimin e BE-së, përfshirë edhe me Kosovën. Por, për aq kohë sa Kosova nuk është në gjendje të negociojë me serbët dhe e di që të dyja palët duhet të kenë vullnet të mirë… por për aq kohë sa Kosova mbetet në atë pozicionin “ne jemi viktima” dhe nuk është në gjendje të bëjë një hap pas, një gjë e tillë sjell situata të ndërlikuara si për të dyja vendet, ashtu edhe për vetë Ballkanin Perëndimor.

“Retorika agresive nuk është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet”

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se, që nga ardhja në pushtet e kësaj qeverie, ju, personalisht, mendoni se Kosova ka bërë regres në bashkëjetesën brenda të njëjtit komunitet me serbët? A e kam kuptuar saktë atë që po thoni?

Martin Dvorak: Unë nuk përpiqem dhe nuk më pëlqen ta sulmoj shpesh qeverinë tuaj. Besoj se qeveria juaj po përpiqet dhe po bën më të mirën për një të ardhme më të mirë të Kosovës.

Ministri i Jashtëm çek, Martin Dvorak, gjatë takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, më 24 janar 2024.

Ministri i Jashtëm çek, Martin Dvorak, gjatë takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, më 24 janar 2024.

Ajo për të cilën po flas, është një lloj retorike agresive që i ka dhënë forcë qeverisë së tanishme, sepse ajo paraqitet si një udhëheqëse e fortë që do ta mbrojë Kosovën me forcë. Dhe kjo më tremb pak, sepse nuk mendoj se është mënyra më e mirë për t’i zgjidhur problemet.

Është shumë e lehtë t’i provokosh njerëzit drejt një reagimi agresiv, drejt urrejtjes. Por, ajo që është e nevojshme në këtë situatë, është të qetësohet ajo sa më shumë dhe të dërgohet një mesazh: “Shikoni, jemi ‘të dënuar’ të jetojmë së bashku. Serbët nuk kanë mundësi të largohen. Ne do të qëndrojmë këtu, ndoshta jo përjetësisht, por për breza të tërë. Dhe, duhet të gjejmë një mënyrë, një modus, për të jetuar së bashku”.

Po ju tregoj një ngjarje që është përshkruar edhe në librin tim. Në Kosovë, ndoshta e dini, ka një fshat serb që quhet Çerkolez. Në atë kohë, ne po përpiqeshim të formonim një këshill të përkohshëm komunal, sepse ishte i nevojshëm për jetën e përditshme – dikush duhet të pastrojë, të mësojë në shkolla, të kujdeset për rrugët, e kështu me radhë.

Kështu që po u kërkonim banorëve lokalë të merrnin përgjegjësi për jetën e përditshme dhe po përpiqeshim të formonim këshillin komunal.

E vizituam fshatin së bashku me miqtë e mi shqiptarë, mes tyre edhe kryetari shqiptar i komunës. Filluam negociatat me serbët lokalë – ishte shumë e ndërlikuar, por atmosfera ishte ende e qetë.

Më pas, atmosfera filloi të përkeqësohej dhe ndjeva se diçka po shkonte keq. Në atë moment, truproja i mikut tim kryetar shqiptar tha: “Shikoni, unë kam luftuar kundër serbëve. Kam qenë në male. Asokohe, disa serbë erdhën në shtëpinë time dhe vranë vajzat e mia, gruan time dhe vjehrrin. Dhe tani jam këtu, duke u përpjekur të negocioj, të diskutoj me ju se si mund të jetojmë bashkë për brezat e ardhshëm”.

Ishte një moment shumë i fuqishëm. Dhe e kuptova se ka kosovarë që me të vërtetë kërkojnë një mënyrë bashkëjetese me serbët.

Por, për sa kohë që politikanët do ta shfrytëzojnë situatën për përfitime politike dhe do ta përshpejtojnë urrejtjen dhe armiqësinë, nuk ka rrugëzgjidhje. Kjo është ajo që po përpiqem të them. E kuptoj që politikisht është shumë e lehtë të krijosh një imazh të armikut si kërcënim, dhe pastaj të thuash “duhet të luftojmë kundër tij”, por kjo nuk ka kuptim për të ardhmen.

Gjasa të pakta që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat

Radio Evropa e Lirë: Si ministër çek për Çështjet Evropiane, ju e keni mbështetur integrimin e Kosovës në BE. Megjithatë, skepticizmi vazhdon të jetë i pranishëm në Bruksel. Pse?

Martin Dvorak: Siç e thashë, kjo është një çështje shumë më e gjerë sesa vetëm marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Ballkani Perëndimor ka shumë probleme. Ka pasur diskutime të gjata nëse duhet trajtuar ky rajon si një tërësi dhe të pritet një zgjidhje përfundimtare, ku të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëheshin anëtare të BE-së në të njëjtën kohë. Por, përfundimisht, të gjithë e kuptuan që kjo nuk është rruga e duhur.

Duhet të zgjedhim nxënësit e mirë, shembujt e mirë, për t’u bërë ftesë edhe të tjerëve që t’i ndjekin. Dhe, pastaj, të gjithë thonë se, për sa kohë që dialogu mes Serbisë dhe Kosovës nuk po vazhdon me fryte, nuk ka zgjidhje.

Duhet të kuptojmë, gjithashtu, se së paku pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur ende zyrtarisht Kosovën. Edhe kjo është një komplikim shtesë në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, në mënyrë pozitive, mund të themi se pas pushtimit rus të Ukrainës, dëshira për të vazhduar me zgjerimin e BE-së është bërë shumë më e fortë. E kuptojmë që na duhet t’i kemi fqinjët sa më afër nesh, sa më pranë BE-së. Dhe duhet t’ju ftojmë, t’ju mbajmë në anën tonë. Kjo është arsyeja pse ende po përpiqemi të negociojmë dhe po ecim në këtë rrugë për ta përfshirë Ballkanin Perëndimor.

Sigurisht që kemi edhe çështjet me Ukrainën dhe Moldavinë – pjesë tjetër e diskutimit.

Por, nga këndvështrimi im personal, unë jam qytetar nderi i Kosovës dhe një mbështetës i madh i vendit tuaj. Megjithatë, mendoj se situata e tanishme është shumë e ndërlikuar që Kosova të pranohet tani si shtet kandidat.

Së pari, duhet ta gjeni mënyrën se si të jetoni dhe të komunikoni me Serbinë, pastaj mund të vazhdojmë me “detyrat e shtëpisë” drejt BE-së.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë hapash konkretë mendoni se duhet të ndërmarrë Kosova tani për ta përshpejtuar rrugën e saj drejt BE-së?

Martin Dvorak: Mendoj se është e domosdoshme të dërgohen mesazhe pozitive, sinjale pozitive. Duhet të thuhet: “Jemi në rrugën e duhur për të negociuar, për t’i zgjidhur problemet ose, të paktën, për ta qetësuar situatën. Jemi të gatshëm të komunikojmë për çështjen e pakicës serbe. Jemi të aftë të flasim për të drejtat e saj dhe si t’i mbrojmë ato”.

Dhe, sigurisht, nga ana serbe gjithashtu duhet të kërkohet: “Ju lutem, hapni dyert, hapni zemrat. Filloni të punoni vërtet për bashkëjetesën, për mënyrën se si të jetojmë së bashku, dhe jo vetëm për të nxitur urrejtje ndaj njëri-tjetrit”.

“Retorika dhe deklaratat politike nuk po çojnë drejt zgjidhjes”

Radio Evropa e Lirë: Të dy e përmendëm tensionin – tensionet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, por ju, gjithashtu, i keni përjetuar ato edhe pas luftës, siç e thatë. Sipas jush, cila është pengesa më e madhe për pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë? Dhe, si e vlerësoni gjendjen aktuale të dialogut mes dy vendeve?

Martin Dvorak: E dini si thonë? Aty ku ka vullnet, ka edhe rrugë. Nëse me të vërtetë dëshiron të arrish një marrëveshje, do ta gjesh mënyrën për ta bërë. Ajo që shoh aktualisht, është se të dyja palët nuk po kërkojnë realisht një marrëveshje.

Kjo është rezultat i tensioneve të gjata dhe i retorikës politike që ka ekzistuar për vite me radhë. Nuk mund ta imagjinoj asnjë politikan kosovar apo serb që thotë: “Shikoni, ne kemi vendosur me të vërtetë t’u japim fund të gjitha përplasjeve dhe tani do të ulemi të negociojmë sinqerisht për mënyrën se si të jetojmë bashkë”.

Një deklaratë e tillë nuk do të pranohej as nga popullata në Serbi, as nga ajo në Kosovë.

Pra, po flas për retorikën dhe deklaratat politike, të cilat ende nuk po çojnë drejt një zgjidhjeje të vërtetë, apo të paktën fillimit të një zgjidhjeje.

Të dyja palët janë të ngujuara në pozicione të forta: “Ata janë armiqtë tanë dhe nuk mund të negociojmë, nuk mund të jetojmë bashkë me ta. Nuk ka rrugë tjetër”.

Unë vërtet besoj se nevojiten disa breza paqeje. Dhe ndoshta pastaj do të fillojnë të bashkëpunojnë në biznes. Ndoshta ndonjë vajzë serbe bie në dashuri me një djalë shqiptar – si Romeo dhe Zhuljeta – dhe ata fillojnë të krijojnë një familje të përzier, apo diçka e tillë.

Por, për momentin, situata dhe atmosfera në të dyja anët janë tepër të ashpra dhe të ngarkuara. Prandaj, mendoj se do të duhet kohë.

Radio Evropa e Lirë: Po shohim se edhe Kosova, edhe Serbia po përballen me sfida të ndryshme për momentin. Për shembull, Kosova është përballur me masa kufizuese apo vonesa nga ana e Bashkimit Evropian – qoftë në financim, mbështetje politike apo hapa drejt integrimit, që shpesh lidhen, siç dëgjojmë edhe nga zyrtarët e BE-së, me ecurinë e dialogut me Serbinë. A besoni se këto masa janë të drejta? Dhe, çfarë mund të bëjë konkretisht Republika Çeke – që, siç e përmendët, është aleate e fortë e Kosovës – për të ndihmuar në heqjen e tyre apo ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës brenda BE-së?

Martin Dvorak: Republika Çeke, siç e thatë, ka qenë gjithmonë në anën e zgjerimit dhe përfshirjes së të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën. Dhe, siç e thashë, ne besojmë se, në situatën aktuale politike dhe gjeopolitike, është e nevojshme ta zgjerojmë zonën e ndikimit të BE-së dhe t’ju mbajmë afër nesh, në anën tonë.

Por, nga ana tjetër, nuk mund të heqim dorë nga parimi i kritereve të bazuara në merita. Ekzistojnë disa kritere, disa kërkesa dhe disa rregulla që duhet të përmbushen në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Dhe, për fat të keq për Kosovën, problemi më i madh vazhdon të jetë përmbyllja, ose të paktën nisja dhe zhvillimi i dialogut me Serbinë me rezultate reale dhe të dukshme, të cilat ende nuk i kemi parë.

E kuptoj që për politikanët në të dyja palët është shumë e vështirë ta ndryshojnë retorikën, t’i hapin zemrat dhe duart për të thënë: “Hajde të ulemi, të përpiqemi ta gjejmë një rrugë”. Por, siç e thashë më herët, mendoj se duhen disa breza qetësie dhe paqeje, dhe ndoshta, ndoshta atëherë do të mund të fillojnë negociatat.

Sa më shpejt që lexuesit tuaj dhe qytetarët të jenë të gatshëm për këtë, aq më afër do të jetë mundësia për t’u bërë anëtarë të BE-së.

Moskonstituimi i Kuvendit, “situatë paradoksale”

Radio Evropa e Lirë: Po sa i përket gjendjes aktuale brenda Kosovës – si e shihni atë?

Martin Dvorak: Është një situatë vërtet paradoksale. Nuk besoj se ndokush e mban mend ndonjëherë një situatë si kjo që po ndodh tani në Kosovë – 30 herë është tentuar të votohet kryetari i Kuvendit pas zgjedhjeve.

Kjo tregon se situata në Kosovë është shumë, shumë e ndjeshme dhe e ndërlikuar. Dhe më vjen keq ta them, por unë shoh mungesë vullneti të mirë.

I mbaj mend mirë miqtë e mi të dashur në Kosovë – ndonjëherë janë pak kokëfortë, apo jo? Dhe më duket se kjo është pikërisht situata këtu.

Nga këndvështrimi im, si i huaj, nëse një vend nuk është në gjendje të bëjë një hap kaq të thjeshtë, siç është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, atëherë si mund ta udhëheqë vendin vetë? Si mund ta çojë vendin në mënyrë pozitive drejt negociatave me Serbinë, kur deklaratat e tyre politike janë gjithçka tjetër, përveçse miqësore?

E kuptoj se ata janë në garë, se po përpiqen të fitojnë sa më shumë mbështetje publike. Por, ndonjëherë, si politikan, duhet të bësh gjëra që nuk janë të njohura apo të pëlqyera, por janë të domosdoshme.

Shembulli me kryetarin e Kuvendit tregon se çfarë lloj problemi ka Kosova. Udhëheqësit kosovarë, ndonjëherë, kanë nevojë për më shumë vullnet të mirë për të ndërmarrë hapa pozitivë, për të bërë kompromis.

Ky është vetëm një votim në Kuvend. Dikush duhet ta bëjë. Dhe ata ende nuk janë në gjendje. Tridhjetë përpjekje për ta zgjedhur udhëheqësinë e Kuvendit!

Kjo është një provë e fuqishme për atë se çfarë mund të jetë problemi – mungesa e gatishmërisë për të bërë një kompromis, i cili mund të jetë i dhimbshëm, por është i domosdoshëm në politikë.

Mendoj se situata në Kuvendin e Kosovës reflekton drejtpërdrejt edhe problemin në marrëdhëniet Kosovë-Serbi: mungesë vullneti për kompromis. Dhe, kompromisi është i domosdoshëm.

Radio Evropa e Lirë: A mund të ndihmojë komuniteti ndërkombëtar?

Martin Dvorak: Dy gjëra mund të bëjmë. E para është që të përsërisim, përsërisim dhe përsërisim: “Të nderuar, ju duhet të filloni dialogun dhe të arrini përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”.

Dhe e dyta është, sigurisht, mund të gjejmë instrumente për t’ju ndihmuar – jo vetëm në politikë, por edhe në ekonomi – për të bashkëpunuar, për të gjetur mënyra që t’i hapim dyert për tregun e përbashkët, apo, për shembull, në fushën e roaming-ut. Mund t’ju mbështesim dhe t’ju japim sinjale pozitive dhe arsye përse nuk duhet kurrë të ndaleni në synimin tuaj për t’u bërë pjesë e familjes së BE-së.

Dhe besoj se – kam pasur takime me zonjën presidente, me kryeministrin, me shumë prej liderëve tuaj… dhe gjithmonë e përsëris të njëjtin mesazh: “Ju lutem, përpiquni ta qetësoni situatën, përpiquni të gjeni një mënyrë se si të jetoni së bashku me serbët, brenda kornizës që e përcaktojnë rregullat e BE-së. Sepse, nëse doni të bëheni anëtarë të këtij klubi, duhet t’i respektoni rregullat e klubit”.

Ministri i Jashtëm çek, Martin Dvorak, gjatë takimit në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. 24 janar 2024.

Ministri i Jashtëm çek, Martin Dvorak, gjatë takimit në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. 24 janar 2024.

Kosova “s’përbën kërcënim për sigurinë në Evropë”

Radio Evropa e Lirë: E përmendët më herët situatën aktuale në Evropë. Shohim tensione në rritje në Ballkanin Perëndimor, për shkak të pasigurisë së vazhdueshme – nga Ukraina në Lindjen e Mesme. Si i vlerësoni rreziqet e sigurisë me të cilat përballen sot Kosova dhe rajoni? Dhe, çfarë mund të bëjnë vendet, si Republika Çeke, për të garantuar stabilitet afatgjatë dhe ndikim të jashtëm konstruktiv?

Martin Dvorak: Nuk mendoj se Kosova përbën ndonjë kërcënim për sigurinë në Evropë. Besoj dhe e di që vendi juaj gjithmonë ka qenë në anën e duhur të kësaj përballjeje, sidomos përballë Rusisë. Kosova gjithmonë ka bashkëpunuar dhe ka vepruar mirë në këtë drejtim.

Për mua, Ballkani Perëndimor dhe qytetarët e Kosovës janë aleatët tanë në luftën për demokraci, për liri dhe për vlerat që ne i mbështesim.

Dhe tani, ata janë nën kërcënim – ndoshta nga Rusia, ndoshta nga Kina, ndoshta edhe nga SHBA-ja, nuk e di. Nga kjo pikëpamje, besoj se mund të mbështetemi te ju. Mund të mbështetemi te Kosova dhe Ballkani Perëndimor – ndoshta jo te të gjitha vendet – që do të qëndrojnë në anën tonë, krah për krah me ne, në një situatë ku duhet t’i mbrojmë vlerat në të cilat besojmë.

Nga ana tjetër, ajo që na nevojitet nga ju, është ta qetësoni situatën e brendshme.

Radio Evropa e Lirë: Një brez i ri është rritur tashmë në Kosovë që nga lufta. Nëse do t’u flisnit drejtpërdrejt atyre, të rinjve të lindur pas vitit 1999, cili do të ishte mesazhi juaj me rastin e 26-vjetorit të çlirimit?

Martin Dvorak: Të dashur të rinj, jini në rrugë të drejtë! Me gjithë zemër ju uroj që ta arrini ëndrrën tuaj, që sipas meje është të jetoni në demokraci, në liri dhe pavarësi, dhe të bëheni anëtarë të plotë të familjes evropiane.

Ju dëshiroj të gjitha të mirat dhe sukses në këtë rrugë. Por, nga ana tjetër, duhet t’i bëni “detyrat e shtëpisë” dhe ato janë të shumta. Prandaj, ju lutem, përgatituni të punoni fort për këtë. Sepse një ditë do ta arrini.

Intervista- Kllokoqi: Liberalizimi i energjisë sjell kursim, investime dhe inovacion

Nadije Ahmeti

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në Kosovë nuk është vetëm një obligim ligjor, por edhe një mundësi për zhvillim, vlerëson eksperti i energjisë, Arben Kllokoqi.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se ky hap mund të sjellë kursime për bizneset, investime të reja dhe nxitje të inovacionit.

Pavarësisht sfidave, eksperti i lartë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë vlerëson se tregu i hapur është rruga më e qëndrueshme për të ardhmen e sektorit të energjisë.

Bizneset e mëdha në Kosovë, nga 1 qershori, kanë dalë në tregun e hapur të energjisë, duke u dhënë fund çmimeve të rregulluara nga institucionet shtetërore.

Subjektet ekonomike e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke kërkuar shtyrjen e tij deri në një përgatitje më të mirë.

Arben Kllokoqi.

Arben Kllokoqi.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kllokoqi, bizneset e mëdha në Kosovë, nga 1 qershori, kanë dalë në treg të hapur të energjisë elektrike. A mendoni se vendi ka qenë i përgatitur për këtë hap?

Arben Kllokoqi: Hapja e tregut të energjisë dhe reformat në sektorin e energjisë burojnë nga direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian, të përqafuara nga Kosova përmes Traktatit të Komunitetit të Energjisë që nga viti 2005.

Kjo hapje është kërkesë ligjore që nga viti 2016. Edhe pse faza e parë ka nisur mirë, hapi i dytë është përballur me një debat nganjëherë tejet konstruktiv, e nganjëherë i ngarkuar politikisht, duke krijuar pasiguri.

Në përgjithësi, është e vështirë të përcaktohet momenti ideal për një hap të tillë. Për shembull, para krizës energjetike të vitit 2021, çmimet ishin më stabile dhe relativisht të ulëta, duke e bërë më të favorshme daljen në treg të lirë.

Pas krizës, çmimet janë bërë më të paqëndrueshme dhe më të larta mesatarisht, por, nga ana tjetër, ka më shumë furnizues dhe më shumë përgatitje, përfshirë edhe bursën ALPEX, si mekanizëm për shitblerje të energjisë elektrike.

Duhet theksuar se edhe më herët ka qenë e mundur për bizneset të dalin në treg të lirë. Nga 1 qershori, disa biznese nuk mund të furnizohen më me çmime të rregulluara bazuar në shërbimin universal, por vetëm me çmime tregu. Megjithatë, në mënyrë vullnetare, ato kanë pasur mundësi ta ndërmarrin këtë hap shumë më herët.

Tani, edhe pse disa kushte janë më të favorshme – si më shumë furnizues, funksionimi i ALPEX-it, kontrolli i zonës tregtuese dhe linjave ndërkufitare, transparenca në çmime, etj. – nuk mund të neglizhohet fakti që bizneset po përballen me një ambient të ri, që i ekspozon më shumë ndaj rrezikut të çmimeve të tregut.

Nga këndvështrimi i sektorit të energjisë, kjo hapje është më se e nevojshme. Pavarësisht sfidave, ajo krijon mundësi për kursim, optimizëm, investime në vetëkonsum dhe, në përgjithësi, në inovacion.

Radio Evropa e Lirë: A ka Kosova infrastrukturë dhe kapacitete të mjaftueshme për të mbështetur një treg të lirë dhe konkurrues të energjisë?

Arben Kllokoqi: Duke qenë se kjo është një kërkesë ligjore, shpresoj se aspektet e infrastrukturës janë marrë në konsideratë. Si ekspert i fushës, nuk shoh arsye pse Kosova të mos e implementojë tregun e lirë, kur i njëjti mekanizëm funksionon prej kohësh në vendet e BE-së dhe në rajon.

Kosova ka pasur sfida, veçanërisht për shkak të tarifave të ulëta të rregulluara, të cilat nuk kanë nxitur kursim, optimizëm apo investime në prodhim dhe rehabilitim. Megjithatë, zhvillimet e fundit, si krijimi i ALPEX-it, integrimi me tregun e Shqipërisë, rritja e transparencës, kontrolli i linjave ndërkufitare dhe rritja e numrit të furnizuesve, krijojnë një bazë solide për liberalizimin e tregut.

Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë janë të licencuara 22 kompani furnizuese, por vetëm pesë nga to, aktualisht, mund ta ofrojnë këtë shërbim për rreth 1.300 biznese të mëdha. A është i mjaftueshëm ky numër?

Arben Kllokoqi: Numri i furnizuesve nuk pasqyron domosdoshmërisht likuiditetin e tregut. Nuk e di se në çfarë mase bizneset kanë filluar të kërkojnë oferta para afatit të liberalizimit, meqë e ceka më herët, bizneset kanë pasur të drejtë të dalin në treg të lirë.

Unë, personalisht, kam pasur mundësi të shoh disa oferta, dhe në njërën prej tyre më ka befasuar mungesa e qartësisë. Nuk dua të paragjykoj, por oferta i referohej një indeksi për koston e energjisë pa saktësuar nëse ishte mujor, javor, ditor apo orë për orë. Gjithashtu, indeksi për koston ndërkufitare ishte i paqartë.

Ofertat duhet të jenë të qarta. Nëse nuk janë me çmim fiks, duhet të shoqërohen me formula të sakta për përllogaritjen e çmimit. Konsumatori mund ta optimizojë konsumin duke pasur ofertë të qartë. Rregullatori ka autoritet të monitorojë tregun dhe të ndërmarrë masa nëse konstaton abuzime.

Radio Evropa e Lirë: Çmimi i ofruar nga disa kompani, sipas bizneseve në Kosovë, është mbi 260 euro për megavat. Sipas jush, a është i lartë ky çmim dhe pse është në këtë nivel?

Arben Kllokoqi: Nuk do të ishte profesionale të komentoj direkt mbi nivelin e çmimeve, por do të habitesha nëse nuk ka apo nuk do të ketë oferta më të leverdishme. Duhet pasur parasysh se shtyrjet e mëparshme mund të kenë krijuar pasiguri për furnizuesit.

Konfirmimi se vendimi po implementohet dhe se konsumatorët po furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (KEK-u) apo furnizues të tjerë, krijon më shumë siguri dhe shpresoj të sjellë oferta më të mira.

Gjithashtu, është e rëndësishme të mos harrojmë kualitetin e shërbimit. Në treg të hapur, ku çmimi nuk përmban elemente subvencionuese, duhet të ketë mekanizma për të garantuar cilësinë e furnizimit dhe kompensimin në rast të ndërprerjeve apo devijimeve.

Negocimi duhet ta përfshijë edhe këtë, jo vetëm çmimin.

Radio Evropa e Lirë: A duhet të ketë Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ndonjë çmim tavan apo ta monitorojë tregun në mënyrë që të mos keqpërdoret situata?

Arben Kllokoqi: Në tregun me shumicë ekzistojnë tavane çmimesh, por ato janë zakonisht shumë të larta. Në tregun me pakicë (tregun e konsumit) nuk ka praktikë për vendosje të tavaneve. Roli i Rregullatorit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për monitorimin e tregut, çmimeve dhe cilësisë së shërbimeve.

ZRRE-ja mund të vlerësojë nëse ka pasur abuzime, duke krahasuar çmimet e ofruara me ato të tregut vendor dhe rajonal. Një praktikë e mirë që mund të zbatohet, është krijimi i një mjeti për krahasim çmimesh, që do t’i ndihmonte si konsumatorët, ashtu edhe furnizuesit në rritjen e transparencës.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë rreziqet e mundshme nëse liberalizimi i tregut të energjisë zbatohet para se të jenë përmbushur kushtet e nevojshme, ashtu siç po pretendojnë subjektet ekonomike në Kosovë?

Arben Kllokoqi: Megjithëse sfidat ekzistojnë, mendoj se ka zhvillime te mira për ta përballuar këtë proces më mirë se disa vite më parë. Do të ishte ideale që liberalizimi të bëhej në mënyrë vullnetare, pra bizneset të kishin kontraktuar furnizues më herët dhe të mos prisnin afatin e fundit.

Kjo sjell stres shtesë, rrit rrezikun dhe çmimet. Furnizuesit nuk e kanë të qartë portofolin e tyre deri në momentin e fundit dhe ekspozohen ndaj paqëndrueshmërisë së tregut. Bizneset, nga ana tjetër, nuk kanë kohë të mjaftueshme për t’i analizuar ofertat.

Objektivi afatgjatë i Direktivave të BE-së dhe i Komunitetit të Energjisë është që të gjithë konsumatorët të furnizohen në treg të lirë. Konsumatorët në kushte të vështira ekonomike duhet të përfitojnë mbështetje të targetuar nga burime të tjera, ndërsa çmimi duhet të përcaktohet në treg.

Nuk mund të presim investime derisa funksionojmë me çmime të rregulluara që shpesh janë nën kosto. Vetëm çmimet e tregut mund të nxisin investime që garantojnë furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm.

Pra, mendoj se të dyja rrugët, si liberalizimi, ashtu edhe mosliberalizimi, bartin rreziqe. Megjithatë, besoj se rruga e liberalizimit është më strategjike dhe më e qëndrueshme në afat të gjatë.

Radio Evropa e Lirë: Si ka shkuar procesi i liberalizimit të energjisë në vendet e rajonit dhe cilat mësime mund t’i nxjerrë Kosova prej tyre?

Arben Kllokoqi: Tregu në BE është liberalizuar prej kohësh. Edhe vendet e rajonit janë shumë përpara Kosovës. Në Maqedoni të Veriut, disa biznese nga Kosova furnizohen në treg të lirë. Edhe Shqipëria, megjithëse më e vonuar, prej vitit të kaluar e ka kaluar shumicën e bizneseve, sipas kushteve të caktuara, në treg të lirë.

Sa më i madh të jetë numri i konsumatorëve në tregun e lirë, aq më i lartë është likuiditeti dhe mundësia për më shumë furnizues. Portofoli më i madh tërheq më shumë konkurrencë dhe sjell çmime më të favorshme për bizneset.

Është thelbësore që Rregullatori të krijojë një mekanizëm të vazhdueshëm monitorimi, të insistojë në transparencë dhe të sigurojë cilësinë e shërbimeve.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli luan Komuniteti i Energjisë në këtë proces dhe si mund të kontribuojë më tej në përmirësimin e tregut të energjisë në Kosovë?

Arben Kllokoqi: Edhe pse sot flas në cilësinë e ekspertit, jo në emër të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, po e përmbledh shkurt: Kosova është nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe si e tillë është pjesë e barabartë në vendosjen e kornizës ligjore të këtij komuniteti. Korniza bazohet në direktivat dhe rregulloret e BE-së. Pra, sektori i energjisë duhet t’i zbatojë rregullat sipas kësaj kornize.

Komuniteti i Energjisë është mekanizmi që e mundëson këtë, ndërsa Sekretariati monitoron dhe mbështet procesin e zbatimit.

Intervista- Donald Trumpi: Po luftoj për ta ndihmuar botën dhe Amerikën

Më 24 prill 2025, Jeffrey Goldberg,kryeredaktor i revistës prestigjioze amerikane,The Atlantic, dhe gazetarët Ashley Parker, Michael Scherer – të cilët më parë kanë qenë të ‘The Ëashington Post zhvilluan – një intervistë me presidentin e Amerikës Donald Trump në Zyrën Ovale.

Takimi erdhi pas disa përpjekjesh dhe anulimesh, përfshirë edhe një telefonatë të rastësishme nga presidenti në orët e vona të natës. Trump e pranoi intervistën me një postim ironik në Truth Social, ku kritikoi gazetarin Goldberg për artikuj “të sajuar”.

Pavarësisht historisë mes tyre, Trump ishte në një humor të mirë dhe i shoqëruar nga stafi i tij. Intervista u përqendrua në rikthimin e tij të paprecedentë në Shtëpinë e Bardhë dhe në mënyrën se si ai po e koncepton një mandat të dytë presidencial. Ai diskutoi për Ukrainën, tarifat tregtare, dhe ushtrimin e pushtetit, duke theksuar se synon ta përdorë presidencën për të “shpëtuar vendin dhe njerëzimin”. Takimi u vlerësua si një bisedë interesante”

Pjesë nga Intervista e publikuar  në ‘The Atlantic’s më 28 prill

Rikthimi në Shtëpinë e Bardhë

Parker: Historia jonë po ndjek një rikthim të jashtëzakonshëm. Dhe nuk është vetëm rikthim —
duket se tani po ushtron pushtetin në një mënyrë të ndryshme. Por pyetja ime lidhet me janarin 2021 — ishe në një lloj “internimi”, po luftoje për mbijetesën politike.

Trump: Nuk e kam parë ashtu, por ndoshta ke të drejtë. Ka një grimë të vërtetë në këtë.

Parker: Kur ishte momenti i parë që kuptove se mund të riktheheshe? Që mund të ndodhte sërish?

Trump: Unë jam një mendimtar shumë pozitiv. Vura në dyshim nëse do të doja të rikthehesha, por kurrë nuk mendova se nuk do të mundesha.

Kishte figura si Ron DeSantis që po cilësohej si yll në ngritje. Njerëzit thoshin: “Ai do të shkëlqejë.” Dhe në anën demokrate — ndoshta — kishte disa që dukeshin premtues. Kush e di? Unë nuk i pashë si të tillë. Për mua, Biden ishte një president i dështuar. Ai lejoi miliona njerëz të hynin në Amerikë, të cilët nuk duhet të ishin këtu. Është një problem i madh.

Mendova se ndoshta nuk do ta bëja, por nëse do ta bëja, do të fitoja. Por kurrë nuk e konsiderova si një “rikthim”. Shumë njerëz e quajnë ashtu. Madje disa e cilësojnë si rikthimin më të madh politik në histori. E shoh si një nder, por unë vetë nuk e ndjej si rikthim. Thjesht e shoh si: unë vazhdoj përpara, hap pas hapi.
Ndoshta nuk duhet të ndihem keq për atë fjalë, sepse ndoshta është e saktë. Thjesht unë nuk e kam përjetuar kështu.

Scherer: Kur erdha në Zyrën Ovale javën e kaluar si pjesë e gazetarëve, të bëra një pyetje për IRS-in që po heton Harvardin, dhe ti fole me shumë pasion për mënyrën se si konservatorët po shënjestrohen nga IRS. Gjithashtu ke nxjerrë një urdhër ekzekutiv — e ke akuzuar Chris Krebs se ka shkelur Amendamentin e Parë, por në fakt po e ndëshkon për opinionin e tij për zgjedhjet e vitit 2020.

Trump: Po.

Scherer: Ka shumë shqetësime në vend që mënyra si po e përdor pushtetin ekzekutiv për të goditur ata me të cilët nuk bie dakord po e shtyn vendin drejt autoritarizmit. Në Truth Social, ndoshta me shaka, the: “Ai që shpëton vendin, nuk shkel asnjë ligj.” A duhet të jenë të shqetësuar njerëzit se po ndryshon natyra e presidencës nën drejtimin tënd?

Trump: Jo. Shiko, në histori, askush nuk është ndjekur dhe sulmuar si unë. Ndoshta është më e vështirë për ju ta shihni, sepse jeni në anën tjetër të medaljes. Por askush nuk është ndjekur si unë. Nuk e kuptova menjëherë. Kur shkarkova [ish-Drejtorin e FBI] James Comey, më thanë se ishte një gabim i madh, që do të më përndiqte. Dhe vërtet, kur e pushova, ishte si të hidhje një gur në fole grerëzash — gjithçka shpërtheu në FBI. Dhe aty gjetëm deklaratën për “policën e sigurimit”. E mban mend deklaratën e famshme: “Mos u shqetëso, ai do të humbasë. Por nëse fiton, kemi një polici sigurimi”? Polica e sigurimit ishte pikërisht ajo që po bënin ata.

Nuk ka pasur njeri tjetër që është ndjekur si unë. Por gjatë presidencës sime të parë arritëm shumë; mora vlerësime të mira, sidomos nga të moderuarit dhe konservatorët. Kur sheh ekonominë, më pas u goditëm nga COVID, por kur ia dorëzuam tregun e aksioneve pas COVID-it, ishte më i lartë se sa para pandemisë — që është vërtet mbresëlënëse.

Por gjëja e vërtetë është: ndërkohë që isha këtu, po më përgjonin; përgjuan fushatën time që në fillim. Dhe tani kjo është vërtetuar — shumë nga këto gjëra janë vërtetuar. I gjithë hetimi i Mueller-it ishte një gjueti shtrigash; përfundimi ishte se nuk kisha asnjë lidhje me Rusinë.

Scherer: Vetëm një—

Trump: Vetëm ta përfundoj. Kjo është një presidencë shumë më e fuqishme se ajo e para. Por edhe herën e parë realizuam gjëra të mëdha. Herën e parë po luftoja për mbijetesë dhe për të drejtuar vendin. Këtë herë po luftoj për ta ndihmuar botën dhe për ta ndihmuar vendin. Është një presidencë shumë ndryshe.

Zelensky dhe Putin

Goldberg: T’i kthehemi çështjes së Rusisë. “Vladimir, NDALO!” — e shkruajte në Truth Social.

Trump: Po, e bëra.

Goldberg: Nuk më duket ai tipi që do të thotë: “Ah, mirë, Trump më tha të ndalem, ndaj do të ndalem.”

Trump: Ndoshta do të befasohesh.

Goldberg: Nëse ndodh kështu, do të kthehem dhe do të them: “Ke pasur të drejtë, unë gabova.” Por mendoj se kam të drejtë. Ai nuk është tipi që thjesht do të ndalojë përpjekjen për të marrë të gjithë Ukrainën. Pyetja është: Nëse ai përparon, nëse ka më shumë suksese ushtarake—
Trump: Gjë që është e mundur.

Goldberg: Të bombardojë pallate banimi—

Trump: Sigurisht.

Goldberg: A sheh ndonjë situatë ku do të përfshiheshe, jo me trupa, por me më shumë armë, me mbështetje të plotë për Ukrainën për të ruajtur integritetin e saj territorial?

Trump: Nuk duhet të jenë domosdoshmërisht armë. Ka shumë forma armësh. Nuk ka nevojë të jenë armë me plumba. Mund të jenë armë ekonomike, me sanksione. Mund të jenë armë përmes bankave. Ka shumë mënyra të tjera.

Goldberg: A ka ndonjë gjë që Putin mund të bëjë që do të të shtynte të thuash: “Tani jam në anën e Zelenskyt”?

Trump: Jo domosdoshmërisht në anën e Zelenskyt, por në anën e Ukrainës, po. Po. Por jo domosdoshmërisht në anën e tij. Kam pasur vështirësi me Zelenskyn. E pamë edhe kur ishte këtu, ulur në atë karrige, kur thjesht nuk e kuptonte.

Goldberg: Ajo ishte një nga skenat më të çuditshme që kam parë ndonjëherë në Zyrën Ovale.

Trump: Gjithçka që duhej të bënte ishte të rrinte i qetë, e kupton? E fitoi pikën e tij. Por në vend që të thoshte “Në rregull” kur bëra deklaratën, thashë: “Ne po punojmë për ta zgjidhur. Po përpiqemi të ndihmojmë.” Ai tha: “Jo, jo, na duhet edhe siguri.” Unë thashë: “Siguri?”

Goldberg: A nuk është detyra e tij të mbrojë vendin e vet?

Trump: Po, është, por gjithsesi, le ta zgjidhim luftën më parë. Në fakt thashë: “Nuk e di nëse do të arrijmë ta përfundojmë.” Ai fliste për sigurinë pas luftës. Dhe më pas bëri një deklaratë, diçka si: “Ne e luftuam të vetëm, nuk morëm ndihmë.” I thashë: “Po si jo? Ju dhamë 350 miliardë dollarë, ndërsa Evropa shumë më pak.” Kjo është diçka tjetër që më shqetëson.

Do të shohim çfarë do të ndodhë gjatë kësaj jave. Jemi në momentet e fundit. Dhe për ta përsëritur, kjo është lufta e Biden-it. Unë nuk dua të mbetem me barrën e saj. Është një luftë e tmerrshme. S’duhej të kishte ndodhur kurrë. Dhe nuk do të kishte ndodhur kurrë, kjo aq e sigurtë sa ti je ulur këtu.

Goldberg: Po ajo skenë me Presidentin Zelensky këtu, mendon se trembi Tajvanin, Korenë e Jugut apo Japoninë?

Trump: Jo. Jo.

Goldberg: Ata nuk po mendojnë: “Kështu i trajton aleatët?”

Trump: Shiko. Ne jemi trajtuar shumë keq nga të tjerët. Shkuam në Korenë e Jugut dhe u kujdesëm për ta për shkak të luftës. U kujdesëm për ta dhe nuk e ndaluam kurrë. E di, kemi 42 mijë trupa në Korenë e Jugut. Na kushton një pasuri. Unë arrita t’i bind që të paguanin 3 miliardë dollarë, dhe më pas Biden e anuloi. Nuk e di pse. Ata janë pasuruar shumë. Kanë marrë tregtinë detare, makinat tona. Kanë marrë shumë nga bizneset tona, shumë nga teknologjia jonë.

Nuk ke pse ndihesh keq për këto vende. Këto vende kanë përfituar shumë në dëm tonin, shumë. Dhe unë dua ta mbroj këtë vend. Dua të sigurohem që edhe pas njëqind vitesh ky vend të jetë i madh. Kjo është një kohë shumë e rëndësishme. Jeffrey, jemi në një nga periudhat më të rëndësishme në historinë e këtij vendi. sn

Intervista- Artan Muhaxhiri: Nyja në Kuvend, sepse askush s’e do formimin e Qeverisë

Profesori i Sociologjisë, Artan Muhaxhiri.

 

Bekim Bislimi

Ngecja në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, është një nyje e patejkalueshme, sepse mungon vullneti politik dhe ekziston dëshira për keqinterpretim të ligjeve dhe Kushtetutës.

Kështu thotë profesori i Sociologjisë dhe njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, në intervistë për Radion Evropa e Lirë, pasi që deputetët e zgjedhur të Kuvendit nuk e arritën të tejkalojnë procedurat që çojnë drejt betimit të tyre për legjislaturën e nëntë, e cila ka dalë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Ai thotë se sjellja e partive politike është zhgënjyese dhe irrituese, sepse nuk kanë vullnet politik për gjetjen e një zgjidhjeje.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje. Ndërkohë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se një akt i tillë formal është i panevojshëm për shkak se ekzekutivi është në detyrë apo dorëheqje që nga 23 marsi.

Sipas Muhaxhirit, ngecja në konstituimin e Kuvendit po bëhet qëllimshëm nga partitë politike, sepse me konstituimin e legjislativit do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Ngecja e konstituimit të Kuvendit “nyje e patejkalueshme”

Radio Evropa e Lirë: Profesor Muhaxhiri, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, dështuan sërish të tejkalojnë ngecjen në procesin e konstituimit të legjislativit. Si e komentoni ju këtë situatë?

Artan Muhaxhiri: Kjo është një situatë për keqardhje maksimale. Është tepër zhgënjyese, irrituese, që politikanët, të cilët e kanë marrë besimin e qytetarëve të sillen në këtë mënyrë kaq të papërgjegjshme.

Nuk kanë aspak vullnet për bashkëpunim dhe as për gjetje të zgjidhjes dhe sipas të gjitha gjasave, mundësia e vetme është që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, sepse vetëm ajo, si instanca e fundit, mund ta marrë një verdikt për zhbllokimin e gjendjes aktuale.

Radio Evropa e Lirë: Për të miratuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, gjë që do të hapte rrugën për betimin e deputetëve, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje. Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se ekzekutivi është në detyrë apo dorëheqje që nga 23 marsi, kur ka përmbushur mandatin katërvjeçar. A është kjo nyje e patejkalueshme edhe politike, apo siç e thatë, duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese?

Artan Muhaxhiri: Kjo është një nyje e patejkalueshme sepse mungon vullneti politik dhe ekziston dëshira për keqinterpretim të ligjeve dhe Kushtetutës. Ligji është i qartë. Pra, përtej ligjit, është një aspekt edhe moral, që në momentin kur certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të reja [nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve] të mos ketë mundësi për vendimmarrje nga një Qeveri, e cila është zgjedhur nga legjislatura e kaluar.

Legjislaturat janë të ndërlidhura në mes veti. Qeveria është zgjedhur nga deputetët e vitit 2021 dhe vetëm atyre u jepet llogari. Ideja është që nuk mund të ketë vendimmarrje nga një Qeveri, e cila nuk e ka bazën për llogaridhënie tek ata deputet, të cilët e kanë zgjedhur atë.

Është krejtësisht i pakuptueshëm ky zell dhe kjo dëshirë e Kurtit që të hyjë në një betejë të plotë me institucionet e Kosovës, por edhe me logjikën e shëndoshë juridike, sepse ky nuk është imazh i mirë edhe për të, pasi një kryeministër, i cili do t’i respektonte institucionet do të duhej të sillej në një mënyrë tjetër. Pra, nuk ka asnjë logjikë që ai të qëndrojë ende në zyrën e tij edhe pasi është certifikuar legjislatura e re.

Mungesa e vullnetit politik reflekton “qorrsokakun” në Kuvend

Radio Evropa e Lirë: Profesor Muhaxhiri, kemi parë që Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve, por edhe partitë e tjera shqiptare, e akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim të këtij procesi të konstituimit të Kuvendit. A shihni mungesë të vullnetit politik për të tejkaluar situatën?

Artan Muhaxhiri: Është e qartë që Lëvizja Vetëvendosje as nuk dëshiron ta themelojë vet Qeverinë dhe as nuk lejon opozitën ta marrë këtë të drejtë, sepse sikur të ishte e kundërta, kjo punë tashmë do të përfundonte.

Ekziston një plan që të shkohet në limitet kushtetuese dhe një ide që të sfidohen të gjitha mundësitë e vonesave, në mënyrë që të krijohet një mjegullnajë, pasi kjo është mënyra e vetme, me të cilën do të mund të realizohej ky plan.

Pra, çdokush që i fiton zgjedhjet – në këtë rast zoti Kurti – gjëja më normale është që menjëherë t’i bëjë 61 deputetë dhe të konfirmohet, apo të rikonfirmohet në këtë rast, si kryeministër i ri dhe ta vazhdojë projektin politik edhe për një mandat të ri.

Mirëpo, në momentin kur nuk ekziston kjo dëshirë, atëherë tentohet që të gjenden mënyra nga më të ndryshme, që të keqinterpretohen ligjet dhe të sfidohen institucionet, në mënyrë që të kalohet në një kontekst krejtësisht të ri, në një terren krejtësisht të ri, dhe që vazhdimisht të gjendet alibi, arsye për bllokada të njëpasnjëshme.

Pra, jemi në një qorrsokak, sepse zoti Kurti nuk dëshiron që ta krijojë Qeverinë. Ndërsa, në anën tjetër, opozita nuk i ka votat, sepse në të kundërtën edhe ajo do të duhej të ishte më energjike në kërkimin e zgjidhjeve ligjore për të dalë nga kjo bllokadë krejtësisht e panevojshme, absurde dhe e dëmshme.

Bllokada “u konvenon partive për betejat politike”

Radio Evropa e Lirë: Ju po thoni që ky është motivi i partive politike për zvarritjen e konstituimit të Kuvendit?

Artan Muhaxhiri: Po, ekziston një ide që të viktimizohen edhe fituesit e zgjedhjeve edhe humbësit e tyre. Pra, zoti Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje tentojnë që ta fajësojnë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në. Ndërsa, në anën tjetër këto tri parti e bëjnë të njëjtën gjë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe zotin Kurti.

Por, po e them sërish mbase zgjidhja e vetme është që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese sepse vendimet e saj janë të paapelueshme dhe është instanca më e rëndësishme e cila do të mund të jepte një verdikt ligjor, i cili do të mund të shndërrohej edhe në një precedent, njëjtë sikur me rastin e VLAN-it në vitin 2014.

Pra, që të krijohej një kontekst i ri dhe një zgjidhje e re, sepse me këtë vullnet negativ që e kanë, gjithë këtë energji destruktive të cilën e pamë edhe sot, kjo situatë mund të vazhdojë edhe për një kohë shumë të gjatë me fajësime reciproke të fituesit të zgjedhjeve dhe të palës tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, Gjykatës Kushtetuese kanë të drejtë t’i drejtohen Presidenca, Kuvendi i Kosovës dhe Avokati i Popullit. Në këtë rast, Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar. Si mund të shkohet deri te Gjykata Kushtetuese?

Artan Muhaxhiri: Mund ta bëjë ose presidentja [ e Kosovës, Vjosa Osmani] ose Avokati i Popullit. E kanë jo vetëm obligim ligjor, por edhe përgjegjësi morale që në bazë të kompetencave të tyre të bëjnë maksimumin për të dalë nga kjo bllokadë. Është në të mirën e shtetit të Kosovës, të qytetarëve të Kosovës që të mos iu lihet në dorë politikanëve të papërgjegjshëm, të cilët janë në gjendje ta bllokojnë shtetin për interesa të tyre dhe kësisoj të krijohet një bllokadë që u konvenon atyre për betejë politike, por është në dëm të zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë kosovare.

La Civita mesazh Ramës: Unë turist në Shqipëri pas 11 majit, kur Berisha të bëhet kryeministër (Intervista e plotë)

Strategu i fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike e ka një plan për të sjellë opozitën në pushtet me votën e 11 majit. Duke bindur shqiptarët të shkojnë drejt kutive të votimit sepse Rama i druhet votës kjo është arsyeja pse kryeministri pak ditë më parë u bëri thirrje shqiptarëve të mos shkojnë të votojnë.

 “Roli im është që të sigurohem se doktor Berisha dhe kandidatët të cilët po garojnë për deputet të fitojnë dhe se ai do të bëhet kryeministri i ardhshëm…
…Këshilloj kandidatët. Flas me doktor Berishën. Diskutojmë për strategjinë, diskutojmë për mesazhin dhe rëndësinë e mesazhit dhe rëndësinë e të qenit aktiv në terren e të folurit me votuesit në mënyrë që të sigurohesh që njerëzit do të votojnë.  Edi Rama dilte dhe u thoshte njerëzve që të mos votonin. E bën diçka të tillë sepse nuk e përballon dot votën e qytetarëve. Po përpiqemi që t’i inkurajojmë njerëzit që të shkojnë të votojnë sepse ndiejmë që kjo do të ndihmojë doktor Berishën”tha LaCivita në një intervistë mbrëmë për emision “Opinion”

Beson se programi i PD-ASHM i drejtuar nga lideri Sali Berisha është solid dhe do i japë zgjidhje shumë problemeve të mëdha me të cilat përballet Shqipëria

“Mendoj se kanë një program shumë solid. Jo vetëm që flasim për pagën minimale, flasim për minimum jetik, flasim për vëmendjen që duhet kushtuar në mënyrë që familjet shqiptare të mos copëtohen ngaqë të rinjtë largohen duke shkuar në Itali, në Shtetet e Bashkuara apo në Greqi për të gjetur punë. Mund të qëndrojnë këtu. Familja është shumë e rëndësishme. Të siguruarit që familja do të qëndrojë së bashku. Edhe një herë, ka të bëjë me ofrimin e shpresës dhe mundësive dhe votuesit e rinj… votuesit e ri në Shqipëri kanë një mundësi shumë të mirë për të vendosur të ardhmen e tyre e si kanë për të ecur gjëra” 

La Civita ka dhe një argument bindës për të rrëzuar sondazhet mediatike të cilët e nxjerrin PD forcë të dytë.

“Kam 35 vite përvoje politike në të gjithë botën dhe sondazhet mediatike… nuk janë të vërteta. Ka pasur shumë sondazhe që thoshin se Donald Trump nuk do të fitonte. E kam jetuar, parë, përjetuar. Të gjitha sondazhet thonin se Donald Trump do të humbiste me 8 – 10 %. Të vetmet sondazhe që i besoj janë ato për të cilat paguajmë. Nuk mbështetemi tek sondazhet mediatike. Ne kemi sondazhet tona por nuk flas për ta”

Si mundet që Partia Demokratike të shkatërrojë numrin kaq të madh të votave të Edi Ramës?

LaCitiva:  “Ky është realiteti i zgjedhjeve të kaluara… Mënyra është shumë e thjeshtë. Ka të bëjë me përcaktimin e këtyre 12 viteve të fundit. Ka të bëjë me përcaktimin e dështimeve të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Jo vetëm te korrupsioni, por edhe te mënyra se ku e ka çuar ekonominë, e cila është shumë e paqëndrueshme. Njerëzit nuk ndihen shumë mirë për të ardhmen e tyre dhe ka të bëjë jo vetëm me të folurit se çfarë është, por po ashtu me të ofruarin e mundësisë për t’i rregulluar gjërat. Doktor Berisha ka në plan t’i bëjë të dyja” 

Fevziu: Megjithatë kemi 2 probleme këtu. Numri i njerëzve të cilët janë kundër Ramës janë më shumë se 50% e votuesve, diku te 52-53% sipas zgjedhjeve të fundit. Megjithatë, njerëzit që votojnë për opozitën e sidomos për Partinë Demokratike është gjysma e këtyre njerëzve. Pse ekziston ky hendek midis atyre që nuk e kanë qejf Ramën dhe atyre që votojnë opozitën?

LaCivita: Sistemi me partitë dhe sistemi në vetvete është një prej truqeve të zgjedhjeve parlamentare. I bën gjërat pak të vështira. Megjithatë unë mendoj se duke i motivuar njerëzit të votojnë jo vetëm për të ndryshuar, por po ashtu për një ardhme më të mirë, është një arsye shumë e mirë motivuese dhe do ta sjellë Partinë Demokratike, aty ku duhet të jetë, te fitorja….

 

Shqiptarët nuk duhet të harrojnë se përballë Berishës energjik dhe me shumë energji e gjallëri, është Rama që rri ulur e flet para kompjuterit

Fevziu: Ka shumë njerëz që mendojnë se Rama punon shumë keq, etj., por nga ana tjetër Berisha është 81 vjeç, 20 vite më i madh se Rama, e ka mbyllur ciklin e tij 1991 në 2013. Pse të votosh për dikë që është 80 vjeç në krahasim me dikë që është 61 vjeç?

LaCivita: Doktor Berisha ka më shumë energji dhe gjallëri se Edi Rama që rri ulur dhe shikon ekranin e kompjuterit dhe flet para kompjuterit të tij gjatë gjithë ditës. Ndërkohë që doktor Berisha është vazhdimisht rrugës duke u takuar me qytetarë dhe duke u angazhuar me to. Sinqerisht, gjithë ajo eksperiencë që ai mbart ndryshon gjithçka. Po ashtu mendoj se zgjedhjet kanë të bëjnë me atë që ka politikat më të mira për të ardhmen. Qartazi, këto janë të doktor Berishës.
Për strategun e fitores së Donald Trump gara është shumë e ngushtë nga çfarë mendon Rama dhe PD është në një pozicion shumë të mirë. 

…Gara është shumë e ngushtë nga çfarë mendon Edi Rama e çfarë tregojnë sondazhet. …Jemi në një pozicion shumë shumë të mirë”

 

E pasi ti ketë dhënë fitoren PD-së e Berisha të bëhet kryeministër atëherë do të shijojë bukuritë e Shqipërisë

“Do të jem një turist i vërtetë pasi të fitojë doktor Berisha” tha ai

Intervista- Enver Hasani: Opozita gaboi politikisht

Bekim Bislimi

Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, thotë Kuvendi i Kosovës nuk është bllokuar dhe mund të mblidhet çdo 48 orë, pasi deputetët dështuan ta konstituojnë këtë institucion.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani e cilëson si gabim mosvotimin nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

Për shkak të mosvotimit të këtij raporti, seanca e së martës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës u ndërpre dhe kryesuesi i saj, tha se do t’i drejtohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për hapat që do të merren në të ardhmen.

Këto parti, kanë vënë në dyshim dorëheqjen e paraqitur nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë. Por Hasani thotë se me betimin e tyre si deputetë, ata nuk do të mund të ushtronin asnjë funksion ekzekutiv.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, si e shihni situatën e bllokimit të sotëm të procesit të konstituimit të Kuvendit, pasi deputetët nuk e kanë votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve?

Enver Hasani: Kjo nuk mund të thuhet se është bllokim, për shkak se, sipas Rregullores (së Kuvendit të Kosovës), Kuvendi duhet të mblidhet çdo 48 orë deri në konstituim. Pra, ka një mekanizëm imunizues, që objektivisht e zhbllokon situatën.

Së dyti, mendoj që ka qenë gabim (veprimi i opozitës), për shkak se e gjithë kjo është një proces formal. Deputetët nuk e kanë certifikuar vetveten dhe në këtë kuptim, politikisht është një lloj absurdi, meqenëse ata janë të mandatuar nga populli. Mënyra se si nuk është miratuar raporti nuk është diçka e këndshme për vetë deputetët.

Radio Evropa e Lirë: Eshte publikuar një letër me dorëheqjen e Albin Kurtit (nga detyra e kryeministrit). Opozita nuk po e pranon dorëheqjen e kryeministrit. Si e komentoni këtë?

Letra e dorëheqjes së Kurtit.

Letra e dorëheqjes së Kurtit.

Enver Hasani: Unë nuk e kam parë letërën, por dorëheqja duhet të jetë e qartë dhe duhet bërë publike për publikun, me kohë dhe të jetë pa ekuivok.

Ajo letër, me sa di unë, është në rregull kur e ka bërë publike para disa ditëve, javëve – pra, kur zoti Kurti tha se nuk ka nevojë të japë dorëheqje, duke i treguar arsyet.

Arsyeja është kushtetuese, për shkak se ka mbaruar mandati i Kuvendit. Kjo mund të pranohet legalisht, në njëfarë mënyre. Por, ajo nuk është ekuivalente me dorëheqjen, për shkak se dorëheqja duhet të jetë shprehimore, sikurse e kërkon ligji.

Prandaj, unë mendoj se kanë bërë gabim (deputetët) që nuk e kanë miratuar (raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve), sepse në momentin që jep betim kryeministri ose kushdo tjetër, nuk mund të ushtrojë më asnjë funksion ekzekutiv apo funksion tjetër publik. Do të thotë, sipas fuqisë kushtetuese, ai funksion do t’i ishte ndërperë dhe nuk do të mund të kthehej në Zyre (të kryeministrit).

Te ne mund të ndodhë gjithçka dhe ai (Kurti) ka mundur të vazhdojë t’i bëjë të gjitha.

Por, edhe po të mos ishte Ligji për Qeverinë, i cili e detyron (kryeministrin) që të japë dorëheqje, pa ekuivoke, para momentit të certifikimit (si deputet), përkatësisht, para certifikimit, atëherë çështja e Kushtetutës është e qartë – në momentin që e jep betimin (si deputet) nuk mund të kesh dy lojalitete.

Neni 26 i Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës

Papajtueshmëria me funksionin e anëtarit të Qeverisë dhe parandalimi i konfliktit të interesit

1. Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

2. Anëtarët e Qeverisë nuk mund të:

2.1. Ushtrojnë asnjë funksion tjetër publik, përveç nëse është pjesë e detyrave zyrtare siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi;

2.2. Ushtrojnë asnjë funksion në pushtetin lokal;

2.3. Ushtrojnë ndonjë funksion si të zgjedhur ose të emëruar jashtë detyrave të tyre zyrtare ose të veprojnë bazuar në një kontratë pune ose kontratë për ofrimin e shërbimeve, përveç për qëllime të hulumtimit ose mësimdhënies, pasi ta informojnë me shkrim Kryeministrin për qëllimet e tilla.

3. Përveç kufizimeve të këtij neni, anëtarët e Qeverisë i nënshtrohen edhe kufizimeve të përcaktuara me legjislacionin përkatës për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

4. Të gjitha kufizimet e përcaktuara me këtë nen për anëtarët e Qeverisë vlejnë edhe për zëvendësministrat.

Prandaj, mendoj që kanë gabuar (opozita). Është dashur të lejojnë të konstituohet Kuvendi dhe menjëherë pas kësaj, sipas fuqisë kushtetuese, (zëvendëskryeministri në detyrë) Besnik Bislimi të vazhdojë punën. Pra, ata që nuk janë deputet, mund të vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e përditshme të Qeverisë.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, ju e përmendët çështjen e dorëheqjes me kohë. Edhe opozita thotë se dorëheqja e kabinetit qeveritar do të duhej të bëhej me kohë. Si do të duhej të ishte ky akt dorëheqjeje dhe çka nënkupton shprehja “me kohë”?

Enver Hasani: “Me kohë” do të thotë ashtu siç e kanë bërë ligjin vetë. Ligjin e ka bërë kjo Qeveri dhe është dashur t’i nënshtrohet ligjit.

Këta po e ngatërrojnë mungesën e mandatit. Qeveria nuk ka mandat, sepse i ka kaluar, siç e ka thënë edhe Kurti, pra që nuk ka nevojë për dorëheqje.

Por, nuk mund ta interpretojnë në atë mënyrë, për shkak se kur thotë ligji dhe Kushtetuta se duhet që para certifikimit, përkatësisht para betimit, të jepet dorëheqja dhe nuk mund të ushtrosh asnjë funksion, kjo nuk ka lidhje me mandat – as për funksion ekzekutiv as në detyrë, as në dorëheqje, në asnjë mënyrë.

Radio Evropa e Lirë: A nënkupton kjo se opozita ka të drejtë që i kapet kësaj “vegëze” tash?

Enver Hasani: Po, pa asnjë diskutim. Në aspektin formal, opozita ka të drejtë. Por, mendoj se opozita ka gabuar politikisht, për një arsye, sepse është dashur të lejojnë të japë betimin (Kurti) dhe më pas ai nuk do të mundte në asnjë rrethanë (të ushtronte funksionin e kryeministrit), sepse do të përfundonte në Gjykatë Kushtetuese. Tash nuk mund ta dërgojë askush as në Gjykata Kushtetuese dhe as në Presidencë, sepse nuk ka vendim të Kuvendit – s’ka Kuvend akoma, ai nuk ekziston për qëllimet e funksionit të vet, si përfaqësues i popullit dhe ligjvënës.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, kryesuesi i seancës tha se do t’i drejtohen presidentes Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje. Në fakt, cili është roli i presidentes në këtë kontekst?

Enver Hasani: Zero. Asnjë rol nuk ka presidenti/ja aty. Është gabim. Nuk di se kush i ka thënë ashtu.

Radio Evropa e Lirë: Cila është, pra, rrugëdalja prej kësaj situate?

Enver Hasani: Rrugëdalja është që të arrihet marrëveshja politike dhe të votohet (miratohet) raporti (i Komisionit për verifikimin e mandateve).

Radio Evropa e Lirë: Si do të duhej të dukej një marrëveshje politike?

Enver Hasani: Marrëveshje politike do të thotë dorëheqjen e kryeministrit dhe atyre që janë në poste ekzekutive ose miratimi i raportit, ashtu siç është (situata e tanishme pa dorëheqje të kryeministrit), të bëhet betimi i deputetëve. Në momentin që jepet betimi, atëherë nuk ka nevojë për dorëheqje, sepse objektivisht, i pushon mandati (ekzekutiv). Sipas fuqisë kushtetuese nuk mund të jesh edhe deputet edhe në post ekzekutiv apo në cilindo post tjetër publik.

Ta sqarojmë. Pra, në momentin që bën betim (për deputet) kushdo qoftë, nuk mund të jetë dhe nuk mund të shkojë në Zyrën e kryeministrit, sepse është jokushtetuese dhe është absurd.

Radio Evropa e Lirë: Pra, ligjërisht i pushon mandati Qeverisë?

Enver Hasani: Jo. Ato detyra minimale që duhet t’i kryejl Qeveria, i marrin përsipër ata që nuk janë deputet, për shembull zëvendëskryeministri (Besnik Bislimi) apo zëvendësministrat, deri në formimin e Qeverisë së re.

Intervista- Donika Emini: Partitë para testit për interesat e vendit

Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BIEPAG).

 

Bekim Bislimi

Ekziston mundësia reale që Lëvizja Vetëvendosje të arrijë të formojë Qeverinë e re, por ajo nuk do të jetë e qëndrueshme më shumë se deri në prillin e vitit të ardhshëm, kur zgjidhet presidenti i Kosovës, thotë në një intervistë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.

Të njëjtin fat, sipas saj, mund ta ketë edhe ekzekutivi që eventualisht do të mund të formohej nga partitë opozitare aktuale.

“Atëherë do të përcaktohet nëse kriza e re politike, me një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin, do të thellohet dhe do të detyrojë thirrjen e zgjedhjeve të reja”, thotë Emini.

Megjithatë, ajo i sheh të mundshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare edhe më herët.

Më 15 prill do të mblidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, gjatë së cilës deputetët do të japin betimin. Në rendin e ditës, në seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, është edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Konstituimi i Kuvendit do të hapë rrugën për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është e para që ka të drejtë të tentojë ta formojë ekzekutivin e ri. Megjithatë, Kurti ende nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për formimin e Qeverisë.

Dy partitë e mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas Donikës Emini, kanë dhënë shenja se mund të bllokojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, i cili duhet të vijë nga Lëvizja Vetëvendosje, që do t’i hapte rrugë konstituimit të plotë të këtij institucioni si dhe formimit të Qeverisë së re.

Emini thekson se situata aktuale paraqet “një moment testimi për klasën politike – një provë për të treguar nëse është e gatshme të menaxhojë dallimet me përgjegjësi dhe në interes të vendit”.

Kosovës, sipas saj i nevojitet një Qeveri legjitime, e cila duhet të zgjidhë izolimin e saj të vazhdueshëm nga BE-ja, të adresojë masat ndëshkuese nga BE-ja, të cilat janë më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – si dhe të angazhohet për heqjen e tyre.

Në raport me dialogun dhe çështjen e procesit të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Emini vlerëson se më shumë mund të japë rezultate një Qeveri e formuar nga opozita sesa nga Lëvizja Vetëvendosje.

Qeveria e ardhshme deri në zgjedhjen e presidentit

Radio Evropa e Lirë: Zonja Emini, të martën pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Cilat janë pritjet e juaja nga kjo seancë, marrë parasysh që deri më tash, partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur të sigurojë votat e 61 deputetëve, të domosdoshme për krijimin e përbërjeve të reja të Kuvendit dhe Qeverisë?

Donika Emini: Megjithëse është duke u përpjekur për të siguruar numrat dhe ka pasiguri të mëdha nëse do të arrijë të formojë Qeverinë, është shumë e mundshme që Vetëvendosje të jetë në gjendje të kalojë të paktën fazën e parë, zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe të hapë rrugën për fazën e dytë, që është propozimi i kandidatit për kryeministër. Edhe pse në kushte jo të qëndrueshme, ka pasur indikacione se individë apo koalicione brenda Kuvendit do të ishin të gatshëm t’i bashkoheshin Vetëvendosjes nëse ajo do të niste procesin e formimit të Qeverisë. E gjitha varet nga negociatat për ndarje të pushtetit ,që janë pazare të njohura politike në Kosovë.

Mundësitë e Kurtit për të siguruar një mandat të tretë varen nga aftësia e tij për të mbledhur vota nga përfaqësuesit e pakicave dhe deputetët që mund të ndryshojnë anë.

Historikisht, skena politike në Kosovë ka dëshmuar raste kur deputetët individualisht kanë ndryshuar qëndrim në këmbim të përfitimeve politike, duke e bërë këtë një strategji të mundshme, por të pasigurt. Megjithatë, një Qeveri e tillë do të ishte jostabile dhe e brishtë kundrejt manipulimeve të deputetëve individualë, duke e kushtëzuar Qeverinë për secilin proces politik përfshirë edhe stabilitetin/rrëzimin e Qeverisë.

Një skenar i tillë përfshin edhe Nismën (Socialdemokrate), ku sigurimi i disa deputetëve nga ky koalicion mund të bëjë diferencën për nga numrat. Po ashtu, është i mundshëm bashkëpunimi me deputetët joserbë, të komuniteteve pakicë në Kuvend.

Megjithatë, edhe pse ekziston mundësia reale që Vetëvendosje të arrijë të formojë Qeverinë, ajo do të jetë një Qeveri jo e qëndrueshme, një Qeveri që mund të qëndrojë në pushtet deri në zgjedhjen e presidentit, por që mund të mos e mbijetojë atë proces.

Kjo duke pasur parasysh se Vetëvendosje është sfiduar seriozisht edhe kur kishte 52 për qind të vendeve në Kuvend për të zgjedhur presidentin dhe për të siguruar kuorumin e nevojshëm. Në të gjithë këta skenarë të mundshëm, qoftë me një ekzekutiv të udhëhequr nga Kurti, qoftë nga opozita -të dyja jo të qëndrueshme – më e mundshme është që të kemi një Qeveri të udhëhequr nga Kurti, por që do të jetë fragjile dhe që do të udhëheqë me vendin deri vitin tjetër.

Atëherë do të përcaktohet nëse kriza e re politike, me një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin, do të thellohet dhe do të detyrojë thirrjen e zgjedhjeve të reja, të cilat do të zgjedhin të gjithë krerët e institucioneve të shtetit dhe pozitat kyç politike në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: A prisni pengesa për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si dhe nënkryetarëve, pa të cilën nuk hapet rruga më tej për konstituimin e legjislativit?

Donika Emini: Nëse opozita zgjedh të bojkotojë apo të mos e mbështesë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, atëherë do të përballemi me një pengesë të panevojshme në procesin e konstituimit të legjislativit. Ky hap është esencial për të hapur rrugën drejt testimit se cila parti/koalicion ka shumicën parlamentare për krijimin e Qeverisë të re.

Edhe pse Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar më herët se do ta mbështesë këtë hap procedural, zërat e fundit nga brenda kësaj partie sugjerojnë një tërheqje të mundshme. Një qasje e ngjashme po shihet edhe te Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Nëse kjo ndodh, opozita rrezikon të shihet si palë bllokuese, pra, duke bllokuar pa nevojë skenën politike dhe hapin tjetër kushtetues.

Megjithatë, kjo mund të jetë një taktikë e qëllimshme, e shtyrë nga mungesa e besimit brenda grupeve parlamentare. Votimi në bllok për kryetarin e Kuvendit nuk do të ekspozonte deputetët që mund të jenë në negociata me Vetëvendosjen dhe të gatshëm të mbështesin një mandat të tretë të Albin Kurtit. Ky lloj frike nga “tradhtia” ka prodhuar tërheqje taktike nga partitë politike në të kaluarën.

Pavarësisht dilemave, ky hap procedural nuk duhet të bllokohet. Dështimi për të zgjedhur kryeparlamentarin do të kishte pasoja të rënda politike dhe do të rriste rrezikun për zgjedhje të reja – një skenar që mund të mos sjellë ndryshim real në përbërjen politike, por do të prodhonte paqëndrueshmëri politike për vendin.

Nuk ka sinjale për marrëveshje ndërmjet partive politike

Radio Evropa e Lirë: A shihni ndonjë mundësi që Vetëvendosje të arrijë ndonjë pajtim me ndonjë prej partive të mëdha opozitare, PDK ose LDK, për formimin e Qeverisë së re?

Donika Emini: Edhe pse Vetëvendosje dhe partitë opozitare – PDK e LDK – kanë mjaftueshëm vota për të krijuar bllokime në Kuvend, asnjëra palë nuk i ka numrat për të formuar Qeverinë e vetme. Për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, hyrja në një koalicion me një nga këto parti nuk përjashtohet si mundësi, edhe pse bie ndesh me ambicien e tij për të qeverisur i vetëm – një stil që ka ngjashmëri me qasjen autokratike të (kryeministrit hungarez) Viktor Orbanit, ku konsolidimi i shumicës shihet si mënyrë për të qeverisur “me duar të lira”.

Nga ana tjetër, për PDK-në dhe LDK-në një bashkëpunim me Vetëvendosjen është shumë më kompleks. Të dyja partitë ndodhen në faza të brishta të rikonsolidimit të brendshëm dhe janë të vetëdijshme se një hyrje në koalicion me një partner të vështirë si Vetëvendosja mund të kthehet në një bumerang politik. Edhe pse qasja në pushtet do të ishte joshëse pas një qëndrimi të gjatë në opozitë, kostot politike të një koalicioni të tillë mund të jenë më të mëdha sesa përfitimet.

Deri tani nuk ka sinjale konkrete për një marrëveshje të mundshme. LDK-ja e ka refuzuar publikisht ftesën e Vetëvendosjes, ndërsa për PDK-në, një skenar bashkëpunimi mund të bëhet i mundur vetëm nëse në tryezë vihet edhe pozita e presidentit – një formulë që në të kaluarën është aktivizuar në momentet e fundit.

Megjithatë, mungesa e besimit mes palëve dhe frika nga humbjet politike mbeten pengesat kryesore për krijimin e një koalicioni të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Në rast se Vetëvendosje nuk siguron 61 vota, a prisni se partitë aktualisht opozitare mund ta bëjnë këtë, për të marrë mandatin për formimin e Qeverisë?

Donika Emini: Një skenar alternativ, një Qeveri e udhëhequr nga opozita, do të ishte edhe më e paqëndrueshme. Duke bashkuar parti me ideologji të ndryshme dhe agjenda politike në konflikt, pa një histori të bashkëpunimit efektiv, një koalicion i tillë do të përballej me disfunksion të brendshëm që në fillim.

Përpjekjet e mëparshme për ekzekutiv me koalicione të mëdha në Kosovë kanë rezultuar me paralizë të plotë, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Një Qeveri e mbështetur nga partitë opozitare do të kishte vështirësi në zbatimin e agjendës legjislative, që ishte një sfidë edhe gjatë mandatit të mëparshëm të LVV-së, kur kishte një shumicë më të qëndrueshme. Për më tepër, jetëgjatësia e saj do të ishte e pasigurt, pasi zgjedhjet presidenciale mund të përcaktojnë fatin e Qeverisë. Më shqetësuese është se mbështetja te votat e lëkundshme parlamentare rrit rrezikun e shantazhit politik dhe korrupsionit, duke e destabilizuar më tej qeverisjen.

Krijimi i një qeverie nga opozita, po ashtu e dobët dhe e fragmentuar, do të kishte gjasa të rrëzohej para zgjedhjes së presidentit, duke sjellë një tjetër cikël zgjedhor të pasigurt.

Ndërsa, disa parti opozitare mund ta shohin këtë si një mundësi afatshkurtër për t’u rikthyer në pushtet, kostoja politike afatgjatë do të ishte e lartë. Shumë prej tyre kanë luftuar për të rikthyer bazën e tyre elektorale, dhe krijimi i një qeverie të paqëndrueshme tani mund të dëmtojë edhe më tej besueshmërinë e tyre në zgjedhjet e ardhshme.

Përveç sfidave në qeverisje, përjashtimi i fituesit të zgjedhjeve mund të shkaktojë jostabilitet politik dhe trazira sociale. Kushtetuta e Kosovës lejon që partia e dytë apo edhe e treta të formojë Qeverinë, por anashkalimi i Kurtit do të forconte narrativin e tij populist se establishmenti i vjetër politik është bashkuar kundër tij -një narrativ që e ndihmoi të fitonte zgjedhjet e vitit 2020.

Përveç të tjerash, opozita nuk është homogjene dhe nuk ka një ofertë të qartë ideologjike e programore për qeverisje. Në të kaluarën një koalicion i tillë ka qenë fragjil dhe ka pasur probleme serioze në funksionim. Andaj, kjo formulë mund të ofrojë një Qeveri të përkohshme, por jostabile e as funksionale.

Rreziku nga ngërçi politik

Radio Evropa e Lirë: Sa është real rreziku që Kosova të hyjë në një ngërç politik dhe institucional?

Donika Emini: Kosova e ka kaluar edhe më parë situata të ngjashme, përfshirë periudhën gjashtëmujore pa Qeveri – një nga krizat më të thella politike. Në këtë drejtim, ngërçet institucionale nuk janë të panjohura për vendin, por vijnë me kosto gjithnjë e më të lartë, veçanërisht në një kontekst gjeopolitik të tronditur dhe për një shtet që ende lufton për konsolidim të plotë ndërkombëtar.

Megjithëse zgjedhjet e fundit kanë sjellë një përbërje më të larmishme parlamentare, dështimi për të formuar një ekzekutiv efektiv tregon jo vetëm sfidat aritmetike të koalicioneve, por edhe një mungesë të theksuar pjekurie politike. Ky është një moment testimi për klasën politike – një provë për të treguar nëse është e gatshme të menaxhojë dallimet me përgjegjësi dhe në interes të vendit.

Në mungesë të një Qeverie funksionale, legjislatura rrezikon të paralizohet, ndërsa Kosova mund të përballet me një izolim diplomatik dhe një krizë të zgjatur politike, me pasoja të ndjeshme për zhvillimin demokratik, ekonomik dhe tërheqjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Radio Evropa e Lirë: Bazuar në zhvillimet aktuale në skenën politike të Kosovës, a ekzistojnë parakushtet për një Qeveri me mundësi reale për një mandat të plotë?

Donika Emini: Fatkeqësisht, rezultatet aktuale të zgjedhjeve në Kosovë nuk lejojnë formimin e një qeverie që është e qëndrueshme, që mund të qeverisë me mandat të plotë dhe që do të mund të mbijetojë procesin e zgjedhjes së presidentit. Natyrisht, një opsion i tillë do të ishte i mundur nëse Vetëvendosje, si partia fituese, do të formonte një koalicion me partinë e dytë ose të tretë më të madhe në zgjedhje. Por, duke qenë se një gjë e tillë është shumë e pamundshme, skenari më i mundshëm është që Kosova të vazhdojë me një qeveri pakice ose një qeveri teknike, e cila do të funksionojë deri në mars të vitit 2026, kur pritet të shpallen zgjedhjet e reja parlamentare dhe zgjedhja e presidentit do të jetë gjithashtu në rend dite.

Deri tani nuk ka pasur asnjë indikacion që një Qeveri e qëndrueshme do të mund të formohet. Prandaj, duhet të jemi të përgatitur të funksionojmë me një qeveri që është e brishtë, pakicë dhe që me shumë gjasë nuk do të jetë në gjendje të shtyjë përpara agjenda të mëdha për vendin.

Kurti nuk ndryshon qëndrim ndaj dialogut dhe Asociacionit

Radio Evropa e Lirë: Në rast se Kurti, në çfardo varianti arrin të ketë edhe një mandat për kryeministër, cilat janë sfidat kryesore që kërkojnë përgjigje urgjente nga ai?

Donika Emini: E ardhmja e Kosovës varet nga formimi i një ekzekutivi plotësisht legjitim dhe aktiv i cili mund të menaxhojë si reformat e brendshme, ashtu edhe presionet e jashtme.

Nga jashtë, Kosova duhet të zgjidhë izolimin e saj të vazhdueshëm nga BE-ja, të adresojë masat e BE-së ende të vendosura dhe të angazhohet aktivisht me BE-në për t’i hequr këto kufizime. Kjo është thelbësore jo vetëm për qasjen në fonde, por edhe për integrimin më të gjerë të Kosovës në BE.

Pa një Qeveri funksionale, kjo bëhet edhe më e vështirë, pasi Kosova rrezikon të izolohet më tej nga aleatët kyç në një kohë kur marrëdhëniet ndërkombëtare janë më të rëndësishme se kurrë. Izolimi i Kosovës nga BE-ja dhe përçarjet në politikën e jashtme gjatë periudhës së udhëheqjes së Kurti kanë thelluar më tej këto sfida.

Nga ana tjetër, brenda vendit, Kosova përballet me nevojën kritike për reforma, veçanërisht në sektorët e qeverisjes dhe efikasitetit të sektorit publik. Edhe pse gjatë katër viteve të kaluara, Qeveria e Kurti gëzonte një shumicë parlamentare, përparimi në reforma ishte i kufizuar, dhe sfidat e Kosovës janë bërë edhe më të komplikuara.

Mungesa e progresit në reforma ka lënë Kosovën të pafuqishme në shumë sektorë dhe pa një Qeveri stabile, situata mund të përkeqësohet më tej. Kjo e bën edhe më të rëndësishme të ketë një Qeveri funksionale që mund të zbatojë reformat sidomos kur integrimi në BE është në fjalë.

*Video nga arkivi: Pse duhet të ndryshojë fokusi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Radio Evropa e Lirë: Kurti deri më tash ka refuzuar të shkojë më tutje drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në rast se Serbia nuk nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit? A prisni që kjo këmbëngulje të vazhdojë përballë presionit ndërkombëtar, i cili nuk ka ndryshuar?

Donika Emini: Kryeministri (në detyrë, Albin) Kurti ka mbajtur një qëndrim të palëkundur lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke këmbëngulur që kjo të kushtëzohet me nënshkrim formal nga pala serbe. Ky qëndrim i pakompromis pritet të vazhdojë, sidomos nëse Kurti vazhdon të qeverisë me një Qeveri në pakicë, e cila nuk balancohet nga një partner koalicioni me peshë politike të barabartë ose të ngjashme.

Nga ana serbe, është shumë e pamundur që presidenti Vuçiq të pranojë të nënshkruajë një marrëveshje të tillë në rrethanat aktuale politike. Duke marrë parasysh situatën e brendshme politike në Serbi dhe qasjen e saj ndaj dialogut, është e vështirë të parashikohet një skenar në të cilin Beogradi ofron garancitë formale që kërkohen nga Kurti.

Ky ngërç paraqet sfida serioze për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Megjithatë, ekziston edhe mundësia, bazuar në përvojat e kaluara, që dialogu të merret përsipër nga administrata amerikane. Nëse ndodh një zhvillim i tillë, ai do të sillte një dinamikë të re, për të cilën Kosova mund të mos jetë e përgatitur në mënyrë të mjaftueshme.

Ndryshimet gjeopolitike, veçanërisht lufta në vazhdim në Ukrainë, kanë rritur ndjeshmërinë ndaj cenueshmërisë së sigurisë në të gjithë Evropën. Shtrirja e pasojave edhe në Ballkanin Perëndimor nuk është e paimagjinueshme, sidomos nëse aktorë kyç brenda administratës amerikane vendosin të prioritizojnë rajonin.

Ndërkohë që në mandatin e kaluar Kurti kishte një shumicë më të fuqishme në Kuvend, që mund të kishte lejuar më shumë fleksibilitet, pozicioni i tij aktual politik është më i kufizuar. Në këtë kontekst, opozita ka gjasa të politizojë edhe më tej çështjen e Asociacionit, duke e kthyer atë në një pikë përplasjeje ndërmjet Qeverisë dhe opozitës. Kjo nuk do të ishte aspak e favorshme në rast të zgjedhjeve të reja në 2026.

Radio Evropa e Lirë: A prisni qasje të re të Kurtit ndaj dialogut me Serbinë dhe cilat mund të jenë zhvillimet e mundshme lidhur me këtë çështje?

Donika Emini: Aktualisht nuk ekziston një klimë politike e favorshme që do t’i mundësonte Kurtit të ndryshojë qëndrim në lidhje me dialogun me Serbinë. Dritarja e mundësisë për arritjen e ndonjë marrëveshjeje, thjesht nuk ekziston. Duke pasur parasysh mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në vitin 2026, veçanërisht nëse Kosova dështon të zgjedhë presidentin e ri, e bën mjedisin politik shumë të pafavorshëm për çdo lëvizje në këtë drejtim.

Duke marrë parasysh këto kufizime, është shumë e pamundur që të ketë zhvillime të rëndësishme gjatë këtij viti, veçanërisht duke pasur parasysh situatën politike në Serbi. Në mungesë të vullnetit të sinqertë politik nga të dyja palët, skenari më i mundshëm është që BE-ja do të vazhdojë me dialogun teknik, duke u përpjekur të menaxhojë dhe zgjidhë përkohësisht çështjet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo qasje në thelb fiton kohë, por me gjasë nuk do të sjellë ndonjë përparim të madh.

Kjo pasqyron atmosferën që mbizotëron në Bruksel dhe në disa kryeqytete të vendeve anëtare të BE-së, ku çështja Kosovë-Serbi është shtyrë në plan të dytë. Duke qenë se BE-ja dhe komuniteti më i gjerë transatlantik janë të angazhuar me kriza të vazhdueshme – siç janë: lufta në Ukrainë, sfidat e brendshme të sigurisë dhe tensionet gjeopolitike në rritje – është gjithnjë e më e pamundur që dialogu të marrë një përparësi të lartë në agjendën politike.

Në mungesë të presionit të jashtëm, pritshmëria më realiste është vazhdimi i status quo-së. Të paktën deri në mars 2026, përveç nëse ndodh ndonjë ndryshim i madh, veçanërisht nga SHBA, nuk pritet ndonjë përparim thelbësor.

Deri tani, nuk ka asnjë shenjë që BE-ja synon të prioritarizojë këtë çështje, dhe as ndonjë tregues vullneti nga pala serbe për angazhim në mënyrë kuptimplotë. Dhe duke marrë parasysh sfidat globale me të cilat përballet aktualisht administrata (e presidentit amerikan, Donald) Trump, është po ashtu e pamundur që SHBA-ja të investojnë kapital politik të konsiderueshëm në Ballkanin Perëndimor në një të ardhme të afërt.

Një ekzekutiv i opozitës mund të sjellë rezultate në dialogun me Serbinë

Radio Evropa e Lirë: Si do të trajtohen këto çështje, në rast se partitë që aktualisht janë në opozitë, fitojnë pushtetin?

Donika Emini: Partitë opozitare në Kosovë, historikisht, janë paraqitur si më konstruktive sesa konfrontuese, veçanërisht në krahasim me Vetëvendosjen, e cila është konsideruar jokonstruktive nga komuniteti ndërkombëtar, sidomos në kontekstin e dialogut Kosovë–Serbi.

Megjithatë, ky konstruktivitet shpeshherë ka ekzistuar vetëm deri në nënshkrimin e marrëveshjeve, por jo domosdo edhe në zbatimin e tyre. Në këtë fazë, duke marrë parasysh mundësinë e një krize politike dhe një Qeveri jostabile në numra, opozita mund të llogaritë ndryshe politikisht në krahasim me të kaluarën.

Është pak e mundshme që partitë opozitare do të jenë të gatshme të marrin përsipër barrën e kompromisit, duke qenë të vetëdijshme se kjo mund të ketë një kosto të konsiderueshme politike. Shumica prej tyre ende përballen me vështirësi për të konsoliduar përkrahjen në elektoratin e tyre. Edhe pse mund të paraqiten si më bashkëpunuese sesa Kurti në aspektin e komunikimit politik me partnerët strategjikë dhe aleatët ndërkombëtarë, është naive të pritet që udhëheqja e tyre të sjellë rezultate thelbësisht të ndryshme,sidomos në kontekstin aktual gjeopolitik.

Dritarja e mundësisë për komunitetin ndërkombëtar që ta mbështesë fuqishëm Kosovën është, për fat të keq, e mbyllur për momentin. Si pasojë, është e pamundur që një Qeveri e udhëhequr nga opozita të sjellë rezultate dukshëm më të mira në dialog me Serbinë.

Ndërkohë, ka pasur zëra nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë që kanë shprehur preferencë për një Qeveri të udhëhequr nga opozita, me shpresën se kjo mund të sjellë rezultate më të mira në procesin e dialogut. Megjithatë, një lëvizje e tillë do të ishte e rrezikshme dhe politikisht delikate. Çdo Qeveri e tillë do të vazhdonte të funksiononte si pakicë, si në ekzekutiv ashtu edhe në legjislativ. Asnjëra nga këto parti nuk ka dalë fituese në zgjedhje, dhe për këtë arsye mungon legjitimiteti për të shtyrë përpara procese që mund të kenë pasoja afatgjata për të ardhmen e vendit.

Për më tepër, edhe nëse do të arrihej ndonjë marrëveshje përmes dialogut, ajo me gjasë do të përballej me rezistencë të ashpër nga vetë opozita, në këtë rast e udhëhequr nga Vetëvendosje, e cila historikisht ka qenë mjaft kritike dhe e zëshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për procesin e dialogut Kosovë–Serbi.

Radio Evropa e Lirë: Sa reale janë shanset për zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Donika Emini: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë shumë të mundshme. Po aq e mundshme është edhe skenari ku vendi do të mbetet pa Qeveri funksionale, një skenar i ngjashëm me ai bullgar, ku për një periudhë të gjatë kohore nuk ka një ekzekutiv të qëndrueshëm. Është shumë e pamundur që Kosova të gëzojë stabilitet politik pa u zgjedhur presidenti i ri. Edhe nëse kalojmë përmes zgjedhjeve parlamentare, kjo nuk do të ishte një hap strategjikisht i mirë, duke pasur parasysh se zgjedhjet janë të kushtueshme. Kombinimi i zgjedhjeve lokale me ato nacionale paraqet sfidë, sidomos për partitë që kanë ricikluar të njëjtit kandidatë dhe që tashmë po përballen me vështirësi në gjetjen e kandidatëve për të dyja nivelet e qeverisjes.

Për më tepër, niveli i pjesëmarrjes së qytetarëve në votime mund të jetë më i ulët, dhe rezultatet ndoshta nuk do të ndryshojnë shumë nga ato që kemi aktualisht. Është e qartë se mesazhi i votuesit kosovar ishte se vendit i duhet një Qeveri koalicioni, që ka legjitimitetin për të shtyrë përpara proceset e rëndësishme. Është pak e besueshme që rezultatet do të jenë ndryshe apo që do të sjellin një ndryshim të madh në mënyrën se si do të konfigurohet situata paszgjedhore.

Si e tillë, mbajtja e zgjedhjeve është shumë e mundshme, edhe për shkak se në të kaluarën kemi pasur skenarë të zgjedhjeve të shpeshta. Megjithatë, është një vendim i pamatur dhe i kushtueshëm politikisht për Kosovën, e cila tashmë po përballet me sfida të mëdha si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.


Send this to a friend