VOAL

VOAL

Intervista – Berisha: Rama është Ndragheta, Lu guvernator, Meta intrigant, unë kam shumë pendesa

October 6, 2016

Komentet

Intervistë e fundit me aktorin, “Mjeshtrin e Madh”, Birçe Hasko: Ky vënd është krimbur dhe nuk ka zot që e ç’krimb. Por kam mendimin se të gjithë ata që po e vjedhin këtë vend i hapin varrin e parakohshëm vetes së tyre-Nga Bashkim Koçi

Birçe Hasko:  E kam bërë notin në det me dallgë të trazuara, por në breg  dola ashtu si desha

Nga Bashkim Koçi

Gazeta Destinacioni

Birçe Hasko, i  lindur në Dukat të Vlorës në 15 mars 1942, është aktor i njohur shqiptar. Mbas mbarimit të shkollës “Jani Minga” të Vlorës punoi si mësues në Memaliaj, ku  angazhohet me trupën e Estradës amatore të qytetit. Në vitin 1965 fillon studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Mbas diplomimit Birçe Hasko mbahet pedagog pranë këtij Instituti, ku për disa dekada ka dhënë lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit. Në teatër ka interpretuar mbi 12 role. Roli i tij më i realizuar është ai i Milos në komedinë “Shi në plazh”, shkruar nga Teodor Laço. Një kontribut të çmuar ka dhënë  në kinematografinë shqiptare, ku ka interpretuar me dhjetëra role. Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971, ai i Sulo Ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”. Më tej do të vazhdonin rolet e tij në shumë filma si ai i Mete Aliut tek filmi “Radiostacioni” në vitin 1979, roli i Syrjait në filmin “Skëterrë 43”, në vitin 1980, roli i mesuesit në filmin “Gurët e shtëpisë sime” në vitin 1985 si dhe shumë role në filma të tjerë për të mbërritur në rolin e tij më të fundit në filmin “Kronikë provinciale”. Në vitin 1995 mori  titullin Profesor. Eshtë  dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të  Klasi të  Dytë. Në vitin 1988 Birçe Haskos iu dha titulli “Artist i Merituar”. Bashkia e Orikumit e ka shpallur “Qytetar Nderi”. Ai gëzon edhe titullin “Mjeshtër i Madh”.

-Një  pyetje disi “patriakale”,  Birçe.  Familja juaj, Haskot, ini të gjthë të  kënduar, të arsimuar.  Trashëgimi, genet, apo…?

-Jo, jo. Janë ca nga të gjitha. Ne kemi qënë 8 fëmijë, 6 vëllezër e dy motra. Shtatë nga këta morën  arsim të lartë. Vetëm një motër mbeti me arsim të mesëm..Të tërë kemi qënë me nivel të lartë në mësime. E di pse? Sepse  babai ynë, ndjesë pastë, ishte shumë arsimdashës. Ishim të varfër, nga më të pikurit në Dukat. I thoshte fshati babait: dërgoji djemtë tek filani për të ruajtur bagëtitë. Ishte fjala për të nxjerrë bukën e gojës. Ai kurrë nuk e bëri këtë.  Mesaduket  kishte vendosur të zhdukte injorancën në familje.
Eshtë disi e pabesueshme, por unë do ta tregoj. Kishim disa prona në Llogara, pyje e krysisht kullota. Atje në stan, ku edhe flinte, babait i kish dalë   Fan Nolin në endërr. I paskësh thënë: Ju Haskot do të përparoni, do të bëheni njerëz të kënduar, do shkolloheni.

-E vërtetë?

-Po, po, kjo është shumë e vërtetë. Babai ishte arsimdashës i thekur, por ajo ëndrra me Fan Nolin ia përforcoi  dëshirën që të na dërgonte nëpër  shkolla. Ai nuk të falte, ishte nopran i madh. Edhe 50 vjeç apo më shumë, njeriu duhet të mësojë, mbaj mend të na thoshte. Ka qënë vetëm ai  që na nxiti për të vazhduar shkollat. Nuk të falte për këtë. Kunatën, Shanen, edhe pse ishte me fëmijë, e detyroi të mbaronte Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Ajo në fillim nguroi, nxori njëmijë e një yçkla, por ai një ditë iu hakërrye  e i tha: Mos të të dëgjoj më nga këto që më thua, do të vesh në institute që çke me të! Ka qënë i çuditshëm babai ynë.

-E veçanta tek ju Haskot është se, që të gjithë,  kini mbaruar arsimin e lartë.

-Është e vërtetë. Për mësimet të gjithë jemi përgjigjur vetë. Që të gjithë, pa përjashtim. Vëllai i madh,  Birbili, mbaroi për inxhinjer elektromekanik  në Ҫekosllavaki. E mbaroi shkëlqyshëm, mori medalje të artë. Skënderi, vëllai tjetër, mbaroi për gazetari. Edhe ai shkëlqeu në mësime e në punë. Edhe ju e dini që mbeti një ndër shkrimtarët më të mirë për fëmijë. Jo se e kam vëlla, por Skënderi  ka lënë një emër të mirë si krijues, si shkrimtar dhe publicist. Edhe vëllai i tretë, Halili, mbari pët inxhinir mekanik. Ishte i talentuar si inxhinier, por ai u mor më shumë me politikë. Ka punuar në Berat, Fier, Vlorë, etj.  Ka qënë edhe deputet në Kuvendin Popullor. Nga ne vëllezrit Halili mbetet si më i drejti, njeri që lutoi e lufton për ideale të pastra.

-Po ti Birçe? Thonë që  ke qënë me fat, të ka ndjekur e mira.   

– Le të thotë njerëzia çtë dojë, por e vërtëta është që në jetën timë, në karierën si artist ka vepruar  shumë faktorë, ku do të veçoja rastësinë. Por  dua të ndalem  tek vështirësitë ekonomike. Unë, vëllezrit dhe motrat,  shkollën e kemi kryer në kushte tmerrësisht të rënda. Në varfëri ekstreme. Ne  kemi qënë një familje e rënë nga vakti. Kishim patur pasuri, mall e gjë, por nuk kemi bërë prokopi. Babai, mbaj mend, punonte në xhade, shpërndante çakull për mirëmbajtjen e rrugve, punë botore quheshin atëherë, mesa më kujtohet mua. Na vinte keq kur e shikonim me duar të gjakosura. Ai tërë jetën kishte punuar si çoban dhe nuk ja dinte rradhën punës, pra nuk dinte si ta përdorte lopatën që shperndante çakullin. Shpesh e dëgjonim kur mallkonte veten. Këtë e bënte nën zë, që të mos e kuptonim ne fëmijët. Megjithatë ne e kptonin, i fliste fytyra, i flisnin sytë. Do ti që një ditë i doli një punë të cilën ai e preferonte!?  Iu ngarkua detyra e shitësit. Në fillim si shitës ambulant. Mallrat i ngarkonte në mushkë. Pra mushka shërbente si një “dyqan shëtitës”. Shiste kripë, basmara, krëhëra për femra, opinga e plot gjëra të kohës. Më pas u bë shitës prej vërteti, i ngulur, me dyqan. Një vit qëndroi në Tragjas e pastaj u vendos në Radhimë  ku u vendosëm  me gjithë familjen.

-Na thuaj diçka nga vetja, nga vështirësitë për shkollimin tënd.

– Po tregoj. Dy vjet të shkollës fillore e kreva në Dukat. Mbaj mend edhe shokët e klasës. Kam patur  Hasan Halilin,  Ago Nezhën, Siri Allushin dhe Vexhi Nelon. Vexhinë e lash të fundit, por ai ishte i pari në mësime. Ishim në një bankë. Ai pati fatin e keq sepse nuk mundi të vazhdonte shkollën e lartë për arsye të biografisë.
Në shkurt të vitit 1951 u shpërgulëm përfundimisht në Radhimë. Nuk mund ta linim babanë vetëm. Aty rrinim në shtëpi me qera. Kemi bredhur të gjithë fshatin. Aty mbarova shkollën fillore.
Shtatveçare nuk kishte Radhima, ishte në Tragjas. Të gjithë ne fëmijët, të tetë,  shtatvjeçaren e kemi kryer në Tragjas. Shkolla ishte larg, shumë larg, 12 kilometra vajtje-ardhje. Na duhej të bënim  më shumë se tre orë udhëtim në ditë. Ngriheshim çdo mëngjes në orën 5 në mënyrë që në orën 6 të mërrnim rrugën për në shkollë. Mbaj mend që ne nxënësit e Radhimës vinim 5-10 minuta më përpara se të tjerët, madje edhe ata që i kishin shtëpitë aty tek dera e shkollës. E mbarova  shkollën shkëlqyeshëm, me të gjitha pesa.
Pastaj më doli e drejta e studimit për mësues, në shkollën “Jani Minga” të Vlorës. Sigurisht me bursë nga shteti sepse ne ishim familje e varfër, nuk mund ta përballonim dot pagesën. E kam mbaruar pedagogjiken me nota të larta, shumë të mira në të gjitha lëndët.

-Mban mend ndonjë detaj nga shkolla e mesme?

-Mbaj, si jo. Po tregoj diçka që nuk më ikën nga mendja edhe tani. Në klasë ishim 52 nxënës. Unë përgatitesha përditë, por për  më shumë se një muaj nuk po më vinte radha që të ngriheshha në mësim. Mua më kish qëlluar që banka të ish afër dritares, e cila e kishte shikimin nga godina e Teatrit.  Një ditë fillova të qaja. Isha i vogël, vetëm 14 vjeç dhe nuk kasha ikur ndonjëherë nga shtëpia. Më kishte marrë malli sidomos për nënën. Më pa mësuesja e matematikës, Bubulina Arapi, e motra e Fatos Arapit. Pa ngriu ti atje, tha, dhe drejtoi gishtin nga unë. Me sy të përlotur vajta tek dërrasa e zëzë. Shkruaj, më tha, dhe po më jepte ca ushtrime për t’i zgjidhur. Nuk ka nevojë, ia ktheva, i them pa shkruar, i them me gojë. Uaaa, ia bëri e habitur mësuese Bubulina! Nga vjen ti?, më pyeti. Nga Tragjasi,  mësuese. Cilin  mësues ta ka dhënë matematikën?   Shezai Radhima, iu përgjegja. Ajo e dinte, ia kish dëgjuar namin mësues Shezaiut. Më dha dy problema dhe unë fap-fap i zgjidha. Që atë ditë mua më doli nami si nxënës i mirë. Mësuese Bubulina kishte folur për mua në katedër  dhe nga ajo ditë mua më zhdëpën me nota shumë të mira, në të gjitha lëndët.

-Më në fund dole mësues.

– Dola vërtet, po ku më degdisën thuaj!  Më erdhi emërimi për në Tepelenë. Emërimi më erdhi me zarf, në shtëpi. Në Tepelenë vajta nga zori, shumë i dëshpëruar. Të them të drejtën, nuk e prisja. Medova se do të më mbanin në Vlorë meqë kasha mbaruar me nota shumë të mira.

-E pastaj?

-Pastaj  vajta në Tepelenë, çtë bëja.  Dyqind mësues kishte atëhere i gjithë rrethi i Tepelenës. Shef arsimi ishte një Nase  Guga nga Gjirokastra. Ishte burrë shumë i mirë, i shkëlqyer. Na mblodhën për të na caktuar shkollën ku do të punonim si mësues. Në debat e sipër dëgjova që do të më caktonin në një fshat ku do jepja mësim në katër klasa kolektive. U çudita. Si ishte e mundur të punoja njëherësh me katër klasa? Mora guximin dhe iu drejtova atij që bëri komunikimin, sekretarit të Komitetit Ekzekutiv: Ne, i thashë, kemi bërë praktikë me dy klasa kolektive, me katër më duket e pamundur, sot po e dëgjoj për herë të parë. Ҫ’bëri ai? Për të më trembur dha urdhër: Këtij djalit, tha, do ti shkoni çdo javë për kontroll! Po unë isha më kok mushkë  se ai. Për kontroll dua që të më vish ti, por kam frikë se, po erdhe, do të grisen opingat. Ai i ra tavolinës në atë mënyrë sa u prish edhe mbledhja. Kot që e bëra edhe unë kërkesën.  E kush më pyeste mua.

-E zbatove urdhërin, vendimin e seksionit të arsimit?

– Me një këmbë. Shkova aty ku më caktuan. Ishte  një fshat i thellë, shumë larg, në Amarikaj. Binte mbi Qesarat. Sapo vajta, e di si u thash disa fshatrëve që losnin domino aty afër shkollës?  E dini ju çdo të thotë Amarikaj? Jo, thanë ata, dhe ngritën supet. Ja u thot mësuesi juve. Amarikaj do të thotë “aman se ika”.  Qeshën ata, qesha edhe unë. Atje u ambjentova, kalova shumë mirë. U jam mirënjohës edhe sot, që kanë kaluar më shumë se një gjysmë shekulli. Respektin e kishim reciprok, anë për ata dhe ata për mua.

-Po kontrolli, porosia që dha sekretari i Komitetit Ekzekutv, u bë si tha ai?

-Jo, jo, asnjëherë. E kush mund të ngjitej deri në Amarikaj. Vetëm në fund të vitit më vijnë për inspektim nga seksioni i arsimit. Odise Zhupa e kish emrin inspektori, i ati i poetit Ilirian Zhupa. Ishte burrë shumë i mirë, por edhe metodist i shkëlqyer. Ishte mjeshtër, tepër korrekt. Këtu në karrigen tënde do të rri unë, më tha, pasi u përshëndet me nxënësit. Ti qëndro atje, në fund të klasës.  Ashtu bëra. Ai i mori të gjithë nxënësit në provim, me shkrim e me gojë, nga klasa e parë deri tek e katërta. Qëndroi aty, me mua, plot një javë. Në fund më falnderoi. Ke bërë punë të shumë të mirë, më tha.  I mori të gjitha fletët e provimit me vete.  Kishin mbetur edhe tri ditë që të mbyllej viti shkollor.  Më duhej të qëndroja aty  por inspektori  ato tri ditë mi dha pushim, si shpërblim për punën e mirë. Kështu  mu desh ta mbyllja shkollën dhe të shkoja bashkë me inspektorin  në Tepelenë.

-Vitin tjetër, sigurisht, të duhej të vije përsëri në Amarikaj.

– Jo, nuk qe e thënë. Vitin tjetër më emërunan në Nivicë, mësues të shkollës 7-vjeçare.  Aty jepja matematikë dhe rusisht. Drejtor kam patur Daut Gumënin. Mbaj mend që na erdhi për ispektim Xhevdet Pataj. Ka qëndruar aty të gjithë javën. I kontrolloi të gjithë me radhë. Diku, aty nga fundi inspektimit, përpara se të jepte konkluzionet, më ftoi për kafe Xhevdeti. Unë prisja të më thoshte ndonjë vrejtje rreth kontrollit, por ai më tha: “Ty Birçe do të transferojmë në Memaliaj”.  Unë kujtova se po bënte shaka. Ai e kuptoi që unë e mora për të tillë, pra shaka, mu drejtua prap: E kam seriozisht Birçe, nuk është çështje  shakaje kjo punë more djalë. Një gjë po të porosis, më tha në kifidencë Xhebdeti: mos u thuaj gjë shokëve!

-Të duhej të prsje vendimin zyrtar. 

-Fiks pas një jave erdhi zarfi. Ishte vendimi për transferimin tim në shkollën e mesme të qytetit të Memaliajt. Në zarf ishin edhe  tre mijë lëkë. Tre mijë lekë ishin shumë, gati sa gjysma e rrogës së një muaji. Në Memaliaj e mbylla atë vit, por qëndrova edhe vitin tjetër si mësues gjimnazi. Aty kam kaluar mirë. Nga klasa e parë deri tek e fundit ishin një mijë e njëqind nxënës. Mos kujton se është ai qytet i Memaliaj që është sot? Jo or jo! Memaliaj ishte qytet minatorësh, qytet me shumë gjallëri. Mbaj mend që ne arsimtarët, që nuk ishim vendas, trajtoheshim njesoj si të ishim minatorë, me një kompesim prej 25 për qind për ushqimet që merrnin.

-Aty fillove të punoje edhe si “artist”, të merreshe me veprimtari  kulturore

-Unë, sapo vajta, angazhohesha me estradën amotore të qytetit. Kujtoj që sa dilja në skenë për të luajtur numrin e rradhës, spektatorët më prisnin me duartrokitje.  Bënim katër priemiera në vit. Investimet i bënte shteti. Sigurisht, kjo bëhej për minatorët. Aty mori udhë jeta ime që më pas do të shkollohesha për aktor.

-E si ndodhi, ç’qe ky fat dhe nga të erdhi?

– Edhe tani kur e kujtoj ia bëj këtë pyetje vetes. Vjen një ditë z/ministry i energjitikës. Pupo Shyti e kish emrin. Ai nuk kishte ku ta kalonte mbasditen dhe me disa drejtues  të minierës vjen në çfaqjen tonë. Në fund të çfaqjes më thonë se më kërkonte i deleguari që kish ardhur nga Tirana, pra z/ministri. Vete. Pash që mbante një komposto në dorë. Ishte komposto kumbulle. Merre, më tha, më ke kënaqur, qënke artist i vërtetë. E mora komposton. E di çke ti, më tha, ti do të shkosh në shkollë për aktor.  Unë nuk kasha haber fare nëse ekzistonte ndonjë shkollë për aktor. E degjoja për herë të parë. Aty mora vesh që kjo shkollë ishte hapur qysh në vitin 1959. Viti që e mora vesh unë, ishte 1962.  Unë ngurova, por ai insistoi: Do të shkosh patjetër, dëgjomë mua. I thashë një “faleminderit” dhe ika, nuk ia vara fare kësaj pune.  Do ti që ai erdhi prapë pas një muaji! Erdhi edhe në çfaqjen e rradhës. Pas çfaqjes më thirri ta takoja. Vajta. Tani, më tha, dua prej teje një dopjo raki. Në vend, i thashë,  dhe porosita të vinte dopjua e rakisë. Hë, vazhdoi  z/ ministri, si vendose për atë që të kam thënë. Po lëre, i thashë, ta harrojmë këtë muhabet. O njeri, insistoi ai, pse nuk do, çdo të humbasësh ti nga kjo punë? Unë jam artdashës, nuk kam lënë film apo teatër pa parë me tët vëlla në Ҫekosllavaki. Aty mora vesh që ai na qënkësh edhe shok i tim vëllai, Birbilit. Mora pak siguri. Epo hajde, jepe llafin o Birçe, thashë me vete. Ashtu bëra. Vajta në Tiranë, konkurova. Më thanë që kasha fituar. Nuk ma merrte mendja kurrë, nuk e mora për të vëtetë.  U ktheva në Vlorë unë i ziu.

-Fati të erdhi në dorë, të duhej që të shkoje në Institutin e Arteve  në Tiranë

– Jo. Konkurimi që bëra unë nuk ishte i planifikuar nga rrethi. Kur erdha në shtëpi  mora vesh që më kishin caktuar drejtor shkolle në Poro. Pra në Vlorë nuk e dinte kush që unë kasha konkuruar për aktor dhe që kasha fituar. Ua thashë  këtë, por nuk më besonte njeri. Vajti puna deri tek sekretari i parë. Sekretar i parë për Vlorën ishte Mihallaq Gjinikasi, një  burrë i shkëlqyer, shumë i drejtë. Më dha një kafe. Tani, më tha, u bëre i madh, të kemi bërë drejtor. Unë rezistova, por ai ma preu shkurt: O drejtor në Poro, o shko në shtëpi, në Radhimë. Zgjidh e merr. Nuk kisha nga t’ja mbaja. Dola tek Sheshi Flamurit për të gjetur ndonjë makinë për në Poro. Ҫudi! Përpara  më doli një makinë “zis”, e cila na paskësh qënë  makina e kooperativës së Poros.

-U paraqite në shkollë?

-Vajta, posi jo. E gjeta edhe shkollën. Të shtata klasat ishin mbushur me grurë. Kërkova kryetarin e kooperativës. Sotir Bojalliu e kishte emrin. I thashë: këto klasat duhet të boshatisen sot, të dizinfektohen, të vendosen bankat dhe shkolla nesër të jetë gati për mësim. Hapi sytë kryetari. Ҫ’është ky ultimatum, ku bëhet kjo punë për 24 orë? Nuk di gjë, i thashë, kjo është puna jote. Unë jam drejtori i ri i shkollës dhe  përgjigjem vetëm për shkollën.
Ai për tërë natën futi në punë qerret e kooperativës. Kur dola të nesërmen në mëngjes, si aga, pashë që të gjitha klasat ishin boshatisur. Në një moment mu afrua një person. Ishte agronomi, i cili më “raportoi” që shkolla ishte gati, e dizinfektuar, me banka të sistemuara, e lyer me gërqere dhe çdo gjë që duhej. E falnderova.
Po atë mëngjes mblodha të gjithë arsimtarët. Nuk njihja asnjë prej tyre, por fakti që u paraqitën të gjithë, tregonte se e kishin marrë detyrën seriozishtë. Erdhën edhe nxënësit. Shkolla gumzhiu nga zërat e fëmijve,  gjë që më bëri ta harroja hallin tim.
-Më në fund u harrua pasioni për të vazhduar shkollën për aktor.

– Jo ore, ku më linte “miza”  mua. Vajta përsëri për të konkuruar për aktor. Konkurova dhe përsëri fitova. Më thonë ata të komisionit: ore përse konkuron ti Birçe, të lënë apo nuk të lënë të fillosh akademinë ata të Vlorës? Jo, jo, këtë vit do të më japin lejë se s’bën, nuk kanë çtë bëjnë, ua ktheva përgjigjen.
Për dreq  shokët më propozuan  për të vajtur tek stadiumi  “Qemal Stafa’. Shkuam për tu argëtuar pak, të kalonim disa orë duke luajtur futboll. Kur mbaruam lojën, thashë me vete: more, përse të mos shikoj,  se ndoshta kanë dalë listat për të drejtat e studimit. Kur vajta tek Teatri, sepse aty afishoheshi listat, ç’të shihja? Birçe Haskos i kish dalë e drejta për të vazhduar Institutin e Arteve. Fluturova nga gëzimi. Kur vajta në shtëpi, në Radhimë, mora vesh se aty kishte mbritur edhe telegrami që më njftonte për tu paraqitur  pranë shkollës së lartë “Aleksandër Mojsiu” që të rregjistrohesha për të filluar shkollën për aktor. Aty qëndrova vetëm një vit sepse në 1966 u kriuja Instituti i Latë i Arteve ku u bashkuan Artet Figurative, Arti Skenik, Muzika dhe Kultura.
-Kur, në cilin vit u diplomua për aktor Birçe Hasko?-U diplomova në vitin 1969. Diplomën ma ka dhënë ish Ministri i Arsimit, Thoma Deljana. Atëhere kishte një vendim të posaçëm, i cili diktonte që 5 përqind e studentve që kishin mbaruar shkëlqyshëm, mbaheshin në Institut si pedagogë. Tek ky 5-përqindësh hyra edhe unë.  Mirpo Vlora insistoi të më merrte si regjizor të estradës, por ministri, Thoma Deljana, i vuri vulën kësaj pune. I jam mirënjohës!

-Sa është e rëndësishme shkolla për ju sepse kam dëgjuar  të thuhet në shkollë mëson dhe pastaj testohesh, në jetë testohesh dhe pastaj mëson

-Shkolla, sipas meje,  është e rëndësishme, por  nuk është ajo që të mund të shkëlqesh në jëtë. Shkolla të jep një çelës kopil, pastaj varet nga ty nëse je i zoti të hapësh derën e suksesit. Kërkesa që ka jeta me ato që bën në shkollë janë ku e ku larg. Ka njërëz që nuk shkëlqejnë në shkollë, por bëhen të tillë në jetë, bëhen të zotët e vetes për të ngjitur maja. Sepse ka nga ata që e përfundojnë shkëlqyshëm shkollën, por kur dalin në jetë as dinë të marrin e as dinë të japinn. Mbeten shkollareskë.

Mund ta konkretizoni këtë,  mbasi ju kini ushtruar detyrën e profesorit plot 43 vjet në Akademinë  e Arteve

-Unë, në radhë të parë,  me studentët kam qënë edhe prind edhe pedagog. Punën e kam bërë me ndershmëri maksimale. Kur shkoj në ndonjë rreth vijnë e më takojnë, më përqafojnë, më janë mirënjohës.  Unë si mësimdhënës kam qënë nopran, kam qënë shumë kërkues. Madje studentët dëgjoja që thoshnin “ky të fik derën, ky të merr shpirtin”. Kur dilnin në jetë thoshnin tjetër gjë: ke patur të drejtë professor. Sepse jeta, profesioni që merr, nuk është e lehtë ta përballosh. Ajo të rrëzon, të jep grushte, të gjakos, të ngre përsëri, prapë të goget me grusht, e ti prapë ngrihesh. Ja, kështu është ndërtuar jeta.
Pastaj njeriu duhet të jetë modest. Anglezët kanë një thenie të shkëlqyer: njeriu shet mend aq sa i mungojnë. Mjerë ai njeri që stërmundohet për t’u treguar i madh, i ditur. Akademia e Arteve  që nga viti 1963, kursi i parë, kur ka mbaruar Marjo Ashiku, Edi Lualasi, Bexhet Nelku etj. ka patur pedagogë me përvojë të madhe. Atëhere shkolla kishte ndershmërinë që në pranimin e studentit për të vijuar studimet. Kjo ka të bëjë shumë. Arti nuk pyet se ti na qënkërke i biri apo e bija e kryeministrit, e deputetit, e beznesmenit apo kudiçfarë.  Sepse do të dalësh në skenë dhe aty nuk të fal kush, apsolutisht. Publiku vjen aty për t’u argëtuar, jo të shikojë surratin tim. Këtë, nëse  nuk e bën dot, ik, shko aty ku të takon. Sepse artisti duhet të sakrifikojë për publikun. Mbaj mend  nga diçka  përvoja ime.  Në vitin 1979 më vdiq babai. Kam vajtur në Dukat, varrosa babanë dhe në dark u ktheva në Tiranë sepse kisha çfaqje. Qaja prapa kuintave e pastaj dola në skenë. Ku e di publiku se ç’hall ka aktori. Nuk i hyn në punë fare.  Po ta them, kjo më ka ndodhur mua.
-Po roli i pedagogut, sipas jush, sa ndikon tek studenti?

– Unë, brezi im, ka patur pedagog  Drita Agollin, Pandi Stillu,  Miho Gjinin, etj. Ishin talente të lindur. Edhe pas kaq vitesh, në këtë moshë që jam sot, më duket vetja, ashtu i vogë, student nga të cilët mësova shumë. lu jam mirënjohës.
Pedagugu, nëse nuk ka krijmtari, kot që rri aty. Kjo është apsolutisht e domosdoshme për atë pedagog që jep lëndë profesionale. Unë, besoj, se e kam kryer mirë këtë, pra të punës si pedagog dhe atë të artistit. Po e konkretizoj këtë. Në maj të vitit 1990 vajtëm në  Gjermani  për një binjakëzim me një fakultet të arteve. I bëra një pyetje Rektorit. More, si ia bëni ju këtu për të larguar të paaftit? S’po të kuptoj zoti Hasko, dhe më pa drejt e në sy. Po ja, i thashë, me ata që janë të paaftë, që nuk dinë të japin mësim, si i largoni nga fakulteti si të tillë. Shumë e thjeshtë, mu përgjigj. Ata ikin vetë. Kur ai nuk di të spiegojë, të demostrojë apo diçka tjetër që ka lidhje me mësimin, nuk i venë studentët në mësim, i mbetet salla bosh. Një herë, dy herë, të tretën pedagugu  ikën vetë nga kjo sallë mësimdhënie.
Nuk ka teorira në artin skenik. Sigurisht, teori ka, por sipas meje është dytësore. Nga vetë fjala aktor duhet ta kuptojmë këtë. Aktor do të thotë akt, dmth, bëje, vepro, hidhu. Nëse nuk je i zoti, çdo këtu, mbathja me vrap. I paafti në  rolin që kërkon ta bëjë, djersin, vjen vërdallë, torturohet, ndërsa i talentuari e bën normalisht, nuk ndjen asnjë sforco. Mund të bëhesh kryeministër, mund të zësh kolltukun e presidentit, por aktor nuk mund të bëhesh dot nëse nuk ke talent. Pastaj ky talent do punë, punë dhe prap punë.

-Ka ndonjë sekret këtu, professor Hasko?

– Ka, si ska. Arti ka dy sekrete, spiegimin dhe demonstrimin. Nëse studenti nuk të kupton kur ti spiegon, vjen demonstrimi. Nëse nuk kupton edhe demonstrimin atëhere ai duhet të ikë, nuk është i aftë për këtë punë. Unë kam qënë i prerë që në momentin që bëhej konkurimi. Kam një rast që nuk mund ta harroj. Kur erdhi Xhevdet Ferri për të konkuruar dikush nga komiteti i partisë më porositi që të mos e fusja për konkurim. Për çështje biografie. I di si ia ktheva?  Unë, i thashë, nuk punoj në komitetin e partisë, unë punoj në Institutin e Arteve. Një rast si ky më ka ndodhur me një konkurues nga Pogradeci të cilit nuk ia mbaj mend emrin. Kishte nga ta që përuleshin, por unë nuk kam pyetur dhe nuk i kam marrë në konsideraatë “porosi” që bënin me spërkla balte profesionin si artist.
Unë kam patur  një dashuri të veçantë për mësimdhënien. E di pse?  Sepse unë erdha tek artet nga të qënit mësues. Kjo gjë më ka ndihmuar shumë. Pamvarsisht se arrita të bëhesha artist, fillesat e mija, qoftë shkolla, siç ishte pedagogjikja, qoftë të qënit mësues në shkollat fillore e atë të mesme, në shpirt, brënda meje, isha mësuesi. Kjo më ka ndihmuar shumë për të zbatuar si në simbiozë  mësuesin dhe artistin. E di sesi e ka përcaktuar këtë Ҫehovi? Pedagogjia është gruaja ime, ndërsa krijimtaria është dashnorja ime. E bukur, apo jo?

-Sa rëndësi ka për pedagogun krijimtaria si artist?

– Shumë. Pedagogu duhet t’i tregojë studentit krijimtarinë. Me patjetër. Nryshe ai, nën zë, të thotë “kush je ti”. Pastaj nëse luan një rol të caktuar, studenti të vlerëson, t’i rrit vlerat si mësimdhënës.
Më duhet të them se roli si artist është më i vlerësuar se ai i mësimdhënësit. Sepse atë e shikon dhe e shijon një masë shumë më e madhe njerëzish. Një filozof thotë: çdo punë i trembet mjeshtrit të vet. Kjo thënie më pëlqen shumë.

-Profesor Birçja, si ini ndjerë ju për rolet që kini luajtur në teatër apo kinema

– Në të shumtat e rasteve  jam ndjerë mirë. Po sjell një rast. Një mëngjes,  kur po shkoja në Akademi,  më doli përpara një person. Nga dialekti mu duk se ishte tiranas. Më fal, tha, a mund të pimë një kafe bashkë? Faleminderit, i thashë, me shumë dëshirë, por nuk kam kohë sepse po shkoj të jap mësim. Po mirë, tha, a mund të ta them këtu atë që do ta thosha tek kafja? Pa hë, çdo të më thuash? Ti Birçe, tha, je si kripa në gjellë për ata role që luan. Dy fjalë ishin ato të shkreta, por unë u kënaqa shumë. Kam edhe një rast tjetër, por diçka i kundërt me atë të tiranasit. Ishte viti 1971, vit ku sapo ishte çfaqur filmi “Kur zbardhi një ditë” ku unë luaj rolin e Sulo  Ballistit. Aty përpara hotel  “Dajtit”  më ndaloi një person, rreth 25 vjeç. Ju ini Birçe Hasko, tha. Po, ia ktheva. Ti je pedagog, tha, aty tek Instituti i Arteve.  Po, i thashë. E të mbajnë akoma aty ty? Po, i thashë. Po si mund të qëndrosh pedagog  ti more ballist i qelbur!? Më pa me inat dhe iku. Pak a shumë kështu më ndodhi në festivalin e Kanës me filmin “Parrullat”.  Kur po jepnim një konferencë për shtyp më vjen një plak, mbahej në një  bastun. Ishte francez. Mu afrua  shumë afër  dhe diçka më tha në gjuhën fringe. Dukej si i trembur. Ҫfarë më tha, i thashë vajzës time, të cilën e kasha marrë si përkthyese.  Edhe këtu në konferencë për shtyp të kam frikë, këtë të tha, bëri përkthimin vajza. Kjo kishte të bënte me rolin që unë luaja në  filmin “Parrullat”.

-Atëhere ç’është roli për Birçen?

-Roli për mua është si puna e atij zanatçiut. Dikush bën këpucë, dikush qep kostume, një tjetër  ka profesionin e berberit etj. I rëndësishm është fakti që ta luash sa më mirë rolin që të jepet. Tek filmi “Parrullat” unë kam bindje apsolutisht të kundërta me të personazhit që luaj rolin. Kjo nuk do të thotë gjë. E di çmë ngjau kur luajta rolin e Sulo Ballistit tek filmi “Kur zbardhi një ditë”? Shkuam në fshat, në Dukat, me dy vëllezrit e mi. Aty në qëndër të fshatit disa burra nga fshati ishin mbledhur dhe bënin muhabet. U përshëndetëm. Njëri nga ata pyeti: Ore, cili nga ju të tre luan atë rolin e ballistit? Unë e luaj, i thashë. Po mirë o, nuk e gjetët atë ballistin nga një fshat tjetër, në  Dukat  e gjetët ballistin!

-E kini ndjerë veten të vlerësuar  në sistemin e kaluar  Provesor?

– Në atë kohë artistët nuk paguheshin, por moralisht ishin në majë. Populli i kishte idhuj. Tani është futur në mes  leku. Nuk investohet siç investohej atëhere. Mirpo dëgjoj të thonë: Atere shteti investonte për politikë. Mirë, more zotni, investo edhe ti për politikë! Në atë kohë ka patur regjizorë të shkëlqyer, mjeshtra. Dhe kështu do të mbeten. Ҫdo brez ka “të mëdhenjtë” e tij. Problemi është që ky brez,  sa është në gjendje të nxjerrë “të mëdhenj”, ashtu  si ne paraardhësit e tyre. Për mua, si Birçe, duhet kohë që artistët ta marrin veten. Janë bërë përmbysje epokale ndaj edhe punët e mira e duan një kohë të caktuar, nuk bëhen me vrap, o burra tutje. Arti është finesë, është edhe ideologji. Ashtu duhet të jetë edhe politika.

-Të bëjmë pak politikë. Ҫmendim ka professor Birçja për zhvillimet në vend, për këtë tranzicion kaq  të lodhshëm?

-Kam një mendim të hidhur. Ky vënd është krimbur dhe nuk ka zot që e ç’krimb. Por kam mendimin se të gjithë ata që po e vjedhin këtë vend i hapin varrin e parakohshëm vetes së tyre. Unë për veten time jetoj në një apartament dhomë e kuzhinë. Mirë të ka gjetur, më thonë disa shokë, sepse ti je humbameno. Unë nuk fyem, përkundrazi më bëjnë nder kur më thonë “humbameno”. Në kohën time kishim mentalitet krejt tjetër. Edhe pse kam patur detyra partiake që mund të bëja si të më donte kokrra e qejfit, kurrë nuk e bëra këtë. Apsolutisht kurrë.  Edhe një frigorifer nuk ma thosh ndërgjegja ta merrja përpara shokëve. E di kush ma siguroi frigoriferin, meqë ra fjala? Pëllumb Kulla ma solli, nga Fieri. Kurrë nuk iu afrova “të mëdhenjve” për të përfituar.  Unë kisha vëllanë Sekretar të Prarë në disa rrethe të vendit, por asnjëherë nuk i kërkova të më bënte ndere të pamerituara.  Nuk i kam dashur servilët, të përulurit që duan të përfitojnë padrejtësisht. Birçe Hasko ka qëndruar  servil vetëm  para punës. Në aspektin krijues. Në aspektin shpirtëror jam servil ndaj fëmijëve të mi. Sot, miku im, kanë ndryshuar shumë gjërat, janë përmbysur. Sot ka njerëz që po tu thuash kafshë, ofendon kafshën. Megjithatë, për çka shikoj e dëgjoj, jam i aftë vetëm të dëshpërohem, nuk mund të urrej dot. Këtë ia dëshiroj edhe politikës. Ajo, pra politika, duhet të konkurojë për të çuar vendin përpara, aty ku na kanë premtuar.
Megjithatë, si qytetar i thjeshtë i vendit tim e kam një dhimbje. Kam atë që po e trajtojnë Shqipërinë si  vend pa zot. Eshtë e dhimbëshme dhe e frikëshme.  Nga e kaluara  kemi mohuar gjithçka.  Eshtë njësoj sikur të mohosh prindërit. Po mirë, kopilë po na bëni more zotërinj që na mohoni gjithçka të kaluar? Këtë pyetje e bëj unë, nuk e di çmendim kanë të tjerët. E kam fjalën që nuk duhet fluturuar.

-Një fjalë të fundit?

-Unë Birçe Haskua ndjehem  i priviligjuar  që  kam jetuar me ndershmëri. Nuk kam frikë nga kurrëkush.   Unë, “ Artisti i Merituar”,  “ Mjeshtri i Madh”, e plot dekorata të tjera si këto, do të përcillem në atë botë me një  pension shumë të vogël dhe nga një banesë po kaq  të vogël.   Por kënaqësitë shpirtërore ama, i kam deri atje, në majë.

Konjufca: Integrim në tregun evropian po, dhoma pritjeje jo (Intervista)

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, flet gjatë një diskutimi në forumin e sigurisë GLOBSEC në Pragë, 22 maj.

Valona Tela

Kosova e mirëpret çdo nismë që synon përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian, por mbetet skeptike ndaj ideve që mund ta mbajnë atë në një status të ndërmjetëm.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, thotë se përfshirja në Tregun e Përbashkët Evropian mund të jetë hap përpara, por thekson se nuk ka ende detaje të qarta.

“Ne e mirëpresim çdo plan të ri, i cili e ka për synim integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian… Pozicion i Kosovës është që ne nuk mbështesim kurrfarë propozimi, i cili krijon dhoma të pritjes në BE”, thotë Konjufca.

Konjufca mori pjesë në punimet e forumit të sigurisë GLOBSEC në Pragë, ku edhe foli për REL-in.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Konjufca, ditëve të fundit po qarkullon ideja e disa vendeve të Bashkimit Evropian për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Përbashkët Evropian, për t’i shtyrë përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit të plotë në BE. Cili është qëndrimi i autoriteteve të Kosovës ndaj kësaj nisme?

Glauk Konjufca: Ne, ta them të drejtën, e mirëpresim çdo plan të ri, i cili e ka për synim integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Prej fazës së nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit deri kur të hapen negociatat për anëtarësim, ajo që përbën bërthamën e negociatave për çdo shtet, janë negociatat kryesisht ekonomike, se si të krijohen të gjithë mekanizmat e nevojshëm për përfshirjen e vendit përkatës në tregun e vetëm.

Kështu që kjo iniciativë, e cila u përshëndet në mënyrë eksplicite edhe nga kancelari [gjerman, Friedrich] Merz, dhe u shty përpara nga shtete si Austria e Çekia, është, në njëfarë mënyre, që t’i jepet një shpejtësi e re procesit të zgjerimit.

Kjo është e mirëseardhur, por ajo çka është më e rëndësishme në këtë proces, po aq sa ideja, janë edhe detajet, e të cilat ne nuk i kemi ende.

Pres që, në javët e ardhshme, këto shtete të shkojnë drejt hollësive dhe detajizimeve sa i përket ecjes përpara.

Radio Evropa e Lirë: Besoni se ky do të jetë një hap transitor drejt BE-së?

Glauk Konjufca: Nëse e ndajnë me faza, ku disa parapërgatiten për t’iu bashkangjitur BE-së, të tjerët mund të jenë vëzhgues menjëherë tash… të shohim. Ajo çfarë ne kemi thënë, që është pozicion i Kosovës, është që ne nuk mbështesim kurrfarë propozimi, i cili krijon dhoma të pritjes në Bashkimin Evropian. Tash tjetër janë problemet politike, për shembull mosnjohësit e Kosovës e të tjera. Por, nuk duam dhoma të pritjes në BE.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, Kosova e ka në dhomën e pritjes aplikimin për anëtarësim në BE qysh në vitin 2022…

Glauk Konjufca: Po, ajo nuk është trajtuar, është e vërtetë. Këtu, elefanti në dhomë është dukshëm politik dhe ai është dukshëm dialogu me Serbinë.

Unë mendoj se shtetet mosnjohëse dhe dialogu me Serbinë e mbajnë të patrajtuar aplikacionin tonë, i cili është dorëzuar gati katër vjet më parë.

Përgjigjja zyrtare që jep Brukseli, sa herë që e ngremë këtë çështje, është: duhet të punoni më shumë me vendet anëtare. Kur thuhet me vendet anëtare, nënkuptohen vendet mosnjohëse. Ne, vazhdimisht, punojmë me to – me Spanjën, me Greqinë e me të tjerat.

Mirëpo, gjithmonë në ato biseda vijnë marrëdhëniet e mira fqinjësore me Serbinë, të cilat mendoj unë – pa fajin tonë – kanë marrë goditje të mëdha të mirëbesimit në këta dy-tre vjetët e fundit, për shkak të sulmeve sikurse ishte ai në Banjskë.

Radio Evropa e Lirë: A ka Qeveria e Kosovës, edhe pse tani është në detyrë, ndonjë plan konkret për ta shtyrë përpara këtë proces?

Glauk Konjufca: Ne kemi miratuar Planin e Rritjes të BE-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kosova është njëri prej vendeve që agjendën evropiane të reformave e ka miratuar dhe është duke e zbatuar – është vendi me impenjimin ndoshta më të lartë në Ballkanin Perëndimor sa i përket kësaj agjende.

Por, kur flitet për reformat e fondet [e BE-së], kanë shumë rëndësi edhe uniteti politik, funksionaliteti i demokracisë dhe i institucioneve. Sepse, nëse deri në dhjetor kemi këso peripecish, ne do t’i humbim 250 milionë euro – që do të thotë se janë 25%-30% e Planit të Rritjes.

Mirëpo, përkundër reformave që i bëjmë, duket që ndonjëherë në negociatat me BE-në peshon më shumë dialogu me Serbinë sesa reformat e brendshme që i bëjmë.

Sepse, nëse e qet Kosovën në parametra me shtetet tjera, në parametra të demokracisë, të rritjes ekonomike që e ka Kosova, të pavarësisë së gjyqësorit etj., Kosova është shumë përpara.

Radio Evropa e Lirë: Por, e patëm një publikim të ditëve të fundit, mbi bazën e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që e nxirrte Kosovën si vendin e dytë më të varfër në Evropë.

Glauk Konjufca: Po, por, në të njëjtën kohë, Banka Botërore thotë se Kosova do të ketë një rritje stabile ekonomike mbi 4 për qind. Kjo e ngushton diferencën me vendet tjera.

Që Kosova të kapërcejë katër vende apo pesë vende, nuk është lehtë, sepse e ke Malin e Zi, e ke Serbinë, i ke shtetet që kanë pasur ekonomi shumë më të konsoliduara se Kosova, e cila ka dalë e shkatërruar prej luftës.

Neve na mjafton edhe zvogëlimi i diferencave me këto shtete.

Radio Evropa e Lirë: Jemi në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit dhe domosdoshmërisht na interesojnë pritjet tuaja nga ky proces…

Glauk Konjufca: Nuk ishte lajm i mirë që Kosova po shkon në zgjedhjet e treta brenda një viti e gjysmë, por u përket qytetarëve të Kosovës. Nuk dua që nga ky forum, në të cilin jam në cilësinë e ministrit të Jashtëm, të futem thellë në detajet e skenës sonë politike, sepse këtë do ta bëj kur të kthehem në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që këto zgjedhje të çojnë në formimin e të gjitha institucioneve, deri të zgjedhja e presidentit?

Glauk Konjufca: Po, besoj që po. Jam shumë optimist që këto do të jenë zgjedhjet e fundit për katër vjetët e ardhshëm.

Irena me disa mbiemra kishte 4 pasaporta, Kalaja: Gjykata shuplakë SPAK-ut për dosjen e gjyqtares

Një vendim i fundit i Gjykatës së Posaçme ka nxjerrë në pah përplasje të forta brenda sistemit të drejtësisë, duke shënuar një pikë kthese në atë që raportohet si një betejë ligjore dhe procedurale me Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Në qendër të vëmendjes dhe akuzave është rasti i gjyqtares Irena Gjoka, një dosje që ka rikthyer debatin mbi integritetin e figurave që po zbatojnë reformën në drejtësi.

Sipas detajeve të bëra publike nga përfaqësuesja ligjore e çështjes, avokatja Adriana Kalaja  e cila ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri tv, vendimi i gjyqtares Manjola Osmani për të mos pranuar mbylljen e hetimeve nga SPAK përfaqëson një “ndarje epokash”. Ky zhvillim shihet si fundi i periudhës kur gjykata miratonte automatikisht çdo kërkesë të organit të akuzës, duke marrë tashmë një rol të vërtetë arbitri ku palët janë të barabarta në proces.

Akuzat e ngritura ndaj strukturave të prokurorisë janë të rënda. Raportohet se në vend që të mbroheshin interesat e shtetit, prokurorë të caktuar të SPAK-ut kanë ndërhyrë në dosje dhe kanë intimiduar dëshmitarët për të mbrojtur gjyqtaren, tha avokatja.

Dosja përmban të dhëna për fshehjen e dy dëbimeve (expuls) dhe një ndalimi 10-vjeçar për të hyrë në zonën Shengen, shoqëruar me nxjerrjen e katër pasaportave të ndryshme në të njëjtën periudhë kohore për të shmangur këto penalitete.

Gjithashtu, ngrihen pikëpyetje serioze mbi justifikimin e rreth 100 milionë lekëve të vjetra gjatë procesit të Vetingut në vitin 2019, ku tatimet për këto të ardhura pretendohet se janë paguar jashtë kohës normale, pikërisht për të kaluar filtrat e drejtësisë së re.

Flavio Qarri: Kam një kuriozitet që është personal, nuk është parimor. Ti bëre një betejë veçanërisht ndaj Irenës me shumë mbiemra, siç e pagëzove ti, që u duke gati e një kryqtare në një kryqëzatë të vetmuar kundër saj. Ishe ti dhe gjithë sistemi që thoshte “jo, Irena e bën gruan mirë”. Dhe në një moment u duk sikur e humbe atë betejë kur SPAK-u, domethënë moralisht e fitove aty, por praktikisht e humbe kur SPAK-u vendosi të mos bënte asgjë ndaj Irenës, edhe pse e pranoi dënimin. Por ndërkohë vendimi i gjyqtares Manjola Osmani, përveç fitores morale ishte dhe një fitore procedurale. Si u ndjeve atë ditë, më trego pak?

Adriana Kalaja: Me thënë të drejtën për shkak dhe të disa problemeve shëndetësore, ishte një lajm që më bëri jo vetëm të ndihem e lumtur, jo vetëm ishte fryt i një përpjekjeje shumë të madhe që ka filluar nga unë që në prill të 2024-ës, por nga ana tjetër ishte një ogur shumë i mirë edhe për vetë sistemin e drejtësisë. Sepse unë do ta quaja me plot gojën që ishte vendimi që ndau epokat. Pra, ndau epokën e afermëndshit ku gjykata vendoste çfarë i kërkonte SPAK-u ose Altin Dumani, dhe erdhi koha kur gjykata mori pozicionin e vet të arbitrit dhe palët janë të barabarta në gjykim. Pra, qoftë ne kallëzuesit, qoftë edhe prokuroria që në fakt duhet të jetë sipas ligjit në funksionin për të mbrojtur interesat e shtetit. Por, në rastin e Irena Gjokës dhe në shumë raste të tjera nga ana e SPAK-ut, jo vetëm që nuk janë mbrojtur interesat e shtetit, por prokurorë të caktuar kanë ndërhyrë në dosje, kanë intimiduar dëshmitarët, dhe mbi të gjitha veprime të prokurorëve të cilët jo vetëm nuk janë të parashikuar nga ligji, por nuk janë të aftë për të mbrojtur dhe vendimet e tyre. Fakti e tregoi që në tre seanca prokurori i SPAK-ut nuk vinte të mbronte vendimin e tij.

Është jo vetëm një shuplakë për gjithë reformën deri në këto momente, por nga ana tjetër, dhe koha na dha të drejtë, sepse ne nuk kemi asgjë me emra të përveçëm. Ne e kemi për mënyrën se si u implementua reforma, se si u implementua procesi i vetingut dhe se si u përzgjodhën njerëzit për hir të këtyre ceneve, të metave, problematikave që kishin si nga Irena, si nga Altin Dumani, si nga irenat e tjera për të qenë aty si një armë në duart e pushtetit.

Flavio Qarri: Tani çështja është, çfarë konkretisht pra ato 20 kërkesat e gjyqtares Osmani ndaj SPAK-ut për Irena Gjokën. Cilat janë konkretisht?

Adriana Kalaja: Më lejo, e para njëherë unë realisht dua të të komplimentoj, se në të gjithë këto intervistat që kam dëgjuar, ka qenë intervista më korrekte që ju kam dëgjuar juve personalisht tek emisioni i Adi Krastës. Sepse duhet të ndajmë një moment. Ne jemi përpara një kërkese të organit të akuzës ose SPAK-ut në rastin konkret, dhe kjo kërkesë është formale deri në momentin kur merret vendimi i gjykatës. Pra, janë dy rrugë. Gjykata ose e pranon pushimin, ose e rikthen për hetime. Dhe ne ngritëm të gjithë elementët e rëndësishëm, që thamë jo vetëm nuk janë bërë hetime, jo vetëm që nuk ka bazë ligjore për atë mënyrë se si është mbyllur kjo çështje, por mbi të gjitha nuk ishin zgjidhur çështjet kryesore që kemi ngritur, qoftë në kallëzimin e parë që kam bërë unë në raport me vendimin penal po edhe me prokurën që i ka dhënë avokatit për të hequr dy ekspulset në shtetin grek. Nga ana tjetër unë kam bërë një shtesë kallëzimi penal, ku kam përfshirë edhe tre komisionerët e vetingut, madje kam qenë në studion tuaj ditën që do shkoja të bëja këtë kallëzim penal. Sepse ndërkohë që drejtoria rajonale tatimore vërteton që nuk ka asnjë deklarim as nga vëllezërit e Irenës, as nga bashkëshorti aktual i Irenës, atëherë nuk ishte bashkëshorti aktual, por gjithë veprimet bëheshin sikur të ishin bashkëshortë.

Dhe nga ana tjetër çfarë ndodh? Me gati 100 milionë lekë të vjetra Irena Gjoka, Shpata, Maneku justifikon të ardhurat e paligjshme, dhe i kthen në të ardhura të ligjshme për të kaluar vetingun. Mjafton të shikojmë se kur janë paguar tatimet mbi këto të ardhura të pretenduara, që janë paguar në 2019-ën, pra gjatë kryerjes së vetingut. Kur ndërkohë kolegët e Irenës, me disa mbiemra, me disa ditëlindje. Ka dhe disa pasaporta. Pra vetëm kjo duhet ta ngrinte të gjithë SPAK-un në këmbë. Pse janë nxjerrë katër pasaporta për të njëjtën periudhë? Pra janë nxjerrë katër pasaporta sepse ka patur dy dëbime, dhe mbi të gjitha është një problem shumë i madh që unë e kam ngritur edhe në kallëzim, e kam ngritur edhe në të gjithë korrespondencat me prokurorinë e përgjithshme, por edhe me inspektorin e lartë të drejtësisë, se si ka mundësi …

Intervista- Moriyasu para takimit Trump-Xi: Kina i jep përparësi mbijetesës së regjimit në Iran

Alex Raufoglu

Lufta me Teheranin po e zbeh takimin e rëndësishëm që presidenti amerikan, Donald Trump, pritet ta zhvillojë këtë javë me udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping, në Pekin. Irani pritet të jetë një nga çështjet më të ndjeshme në agjendën e këtij takimi.

Trump pritet të mbërrijë në Pekin më 13 maj dhe të takohet me Xinë më 14-15 maj, pasi vizita e tij e planifikuar për më herët këtë vit u shty shkak të konfliktit me Teheranin.

Zyrtarë të lartë amerikanë thonë se Trump synon ta sfidojë drejtpërdrejt Xinë për lidhjet ekonomike dhe teknologjike të Kinës me Iranin, përfshirë blerjet e naftës dhe transportimin e pretenduara të mallrave me përdorim të dyfishtë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ken Moriyasu, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Hudson, tha se Pekini mund të ndihmojë taktikisht në uljen e tensioneve, por do t’i rezistojë çdo përpjekjeje që mund ta kërcënojë mbijetesën e regjimit iranian, të cilin ai e përshkroi si qendror për strategjinë afatgjatë euroaziatike të Kinës.

Radio Evropa e Lirë: Duke qenë se Trump pritet ta sfidojë Xinë për Iranin dhe Uashingtoni po prezanton sanksione të reja që synojnë rrjetet iraniane të naftës të lidhura me Kinën, sa i rëndësishëm është ky moment në diplomacinë SHBA-Kinë lidhur me Teheranin?

Ken Moriyasu: Jam i sigurt se Trumpi do t’i kërkojë Xi Jinpingut ndihmë për Iranin, dhe jam i sigurt se Kina është shumë e interesuar ta shohë fundin e kësaj lufte po aq sa edhe Trump dëshiron t’i japë fund asaj.

Por, jam gjithashtu shumë i sigurt se Xi nuk dëshiron ndryshim regjimi në Teheran. Pra, ndërsa ai mund të pranojë ta nxisë Teheranin të arrijë një lloj kompromisi, jam shumë i sigurt se Xi do t’i bëjë ballë çdo trysnie nga Trump për ta ndëshkuar Iranin në një mënyrë që mund të çojë në ndryshim regjimi.

Radio Evropa e Lirë: Kur e shikoni marrëdhënien e Kinës me Iranin sot, sa ndikim realisht ka Pekini mbi Teheranin?

Ken Moriyasu: Marrëdhënia vazhdon, por duhet ta kuptojmë përmes strategjisë afatgjatë të Kinës dhe rëndësisë që Irani ka brenda saj.

Nëse ndodh ndryshim regjimi në Teheran dhe vendi bëhet proamerikan, properëndimor dhe largohet nga Kina, kjo bie drejtpërdrejt ndesh me strategjinë kontinentale afatgjatë të Kinës.

Në 15 vjetët e fundit, Kina është përpjekur shumë ta kufizojë varësinë e saj nga rrugët detare tregtare, veçanërisht për energjinë, sepse cisternat e naftës duhet të kalojnë nëpër pika strategjike si Ngushtica e Hormuzit dhe Ngushtica e Malakës. Prandaj Kina është orientuar drejt tubacioneve tokësore, dhe brenda kësaj strategjie kontinentale Irani zë krahun jugor, ose ankorën jugore.

Nëse Irani bëhet properëndimor, kjo do të prishte lidhjet tokësore të Kinës me Lindjen e Mesme dhe Evropën. Do të komplikonte logjistikën energjetike dhe korridoret ushtarake të lidhura me Nismën “Rripi dhe Rruga”, dhe do të minonte idenë e një brendësie të vazhdueshme euroaziatike të izoluar nga fuqia ushtarake amerikane, diçka që Kina është përpjekur ta krijojë gjatë 15 vjetëve të fundit.

Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh lidhjet e ngushta ekonomike me Iranin, veçanërisht në eksportet e energjisë dhe blerjet e naftës, a përkthehet kjo në ndikim të rëndësishëm politik për Pekinin?

Ken Moriyasu: Kjo i jep më shumë ndikim Iranit sesa Kinës.

Nëse Irani e kupton strategjinë afatgjatë të Kinës, atëherë Teherani ka ndikim. Dhe, Shtetet e Bashkuara duhet ta kuptojnë politikën e Kinës dhe të pranojnë se Kina kurrë nuk do të mbështesë politika që mund të çojnë në ndryshim regjimi.

Kjo lidhet gjithashtu me Tajvanin. Përderisa Shtetet e Bashkuara mbajnë një kontroll strategjik mbi importet energjetike të Kinës përmes Ngushticës së Malakës ose Ngushticës së Hormuzit, Kina nuk mund ta marrë Tajvanin me forcë.

Edhe nëse Kina do të mund ta pushtonte ushtarakisht Tajvanin, SHBA-ja do të mundë ta ngufatke ekonominë kineze duke bllokuar ato rrugë.

Pra, ajo që Kina po përpiqet të bëjë fillimisht është të krijojë një korridor kontinental që e mbron nga hakmarrja amerikane. Pasi të përfundojë ky strehim apo kjo fortesë euroaziatike, atëherë Pekini do të kishte më shumë opsione lidhur me Tajvanin.

Nuk po them se Kina do ta pushtojë Tajvanin nëse ky korridor përfundon, por sigurisht që kjo do t’i jepte Pekinit më shumë fleksibilitet strategjik.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Trump i kërkon Xisë ta përdorë atë ndikim mbi Iranin, çfarë lloj përgjigjeje prisni nga Pekini?

Ken Moriyasu: Kina po ndjek njëkohësisht dy qëllime afatgjata: dëshiron të largohet nga rrugët detare tregtare dhe gjithashtu dëshiron të largohet nga vetë varësia ndaj naftës.

Kjo është arsyeja pse Kina po inkurajon agresivisht kalimin nga makinat me benzinë në automjete elektrike, me energji elektrike të prodhuar nga energjia bërthamore ose qymyri. Një pjesë e madhe e atij qymyri vjen nga burime vendase ose nga Mongolia, të cilat janë të mbrojtura nga ndërhyrja ushtarake amerikane.

Megjithatë, Kina ende nuk ka arritur atje, kështu që ende ka nevojë për naftë. Kjo do të thotë se kjo luftë dhe rritja e çmimeve të naftës po e dëmtojnë Kinën tani për tani.

Në planin afatgjatë, megjithatë, Kina dëshiron ta kufizojë varësinë si nga transporti detar ashtu edhe nga vetë nafta.

Pekini ka nevojë për stabilitet në të ardhmen e parashikueshme, por nuk ka interes ta ndihmojë Trumpin të arrijë kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit apo të mbështesë ndryshimin e regjimit në Teheran. Kjo nuk është në interesin strategjik afatgjatë të Kinës.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë kontekst, a e shihni Kinën duke luajtur më shumë një rol diplomatik të heshtur prapa skenave, apo duke mbetur e kujdesshme publikisht?

Ken Moriyasu: Çdo rol që Kina do të luajë do të jetë taktik, jo strategjik. Jam shumë i sigurt për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Meqë Uashingtoni po merret Iranin, Ukrainën dhe konkurrencën strategjike me Kinën njëkohësisht, si mendoni se i balancojnë politikëbërësit të gjitha këto sfida në të njëjtën kohë?

Ken Moriyasu: Kjo është edhe një arsye tjetër pse Xi mund të ndihmojë taktikisht, por jo strategjikisht.

Realiteti është se tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit nuk janë të këqija për Pekinin. Nëse Uashingtoni shpërqendrohet nga lufta që përfshin Iranin, kjo e largon vëmendjen nga Tajvani. Kjo i jep Kinës më shumë kohë për t’u përgatitur.

Pra, një nivel i caktuar tensioni midis Uashingtonit dhe Teheranit në fakt i shërben interesave strategjike të Kinës.

Por, në planin afatgjatë, plani i Kinës është fillimisht të krijojë korridore kontinentale përmes të cilave mund të sigurojë energji dhe tregti pa ndërhyrjen amerikane. Kjo është faza e parë, ndoshta gjatë dekadës së ardhshme.

Më pas Kina do të ishte në gjendje të projektonte fuqi më me besim drejt zonave bregdetare detare dhe potencialisht të mendonte për operacione ndaj Tajvanit më pas. Shtetet e Bashkuara duhet ta kuptojnë se çfarë po përpiqet të bëjë Kina.

Radio Evropa e Lirë: Në çfarë pike kriza mund të bëhet aq serioze sa Pekini të veprojë më vendosmërisht, qoftë diplomatikisht apo strategjikisht?

Ken Moriyasu: Raportohet se Kina ka rezerva strategjike të naftës që mund të zgjasin rreth katër muaj.

Derisa po afrohet ai afat kohor, Pekini do të përballet me më shumë presion për të siguruar rrugë alternative ose për të punuar me Uashingtonin dhe Teheranin për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit. Por, ka edhe pak kohë para se Kina të arrijë në atë pikë.

Radio Evropa e Lirë: Trump e shtyu një herë këtë vizitë për shkak të Iranit. A mund të jetë Irani një nga çështjet përcaktuese të takimit, madje përtej tregtisë dhe marrëdhënies më të gjerë SHBA-Kinë?

Ken Moriyasu: Në një pikëpamje më të gjerë, konkurrenca mes fuqive të mëdha SHBA-Kinë është në të vërtetë një garë për kontrollin e Euroazisë.

Nga perspektiva e Kinës, ajo dëshiron qasje të pandërprerë në tregjet energjetike të Azisë Qendrore dhe rrugët tregtare drejt Evropës pa ndërhyrjen amerikane.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë domosdo nevojë ta dominojnë vetë Azinë Qendrore. Por, duhet t’i pengojnë përpjekjet e Kinës aq sa Pekini të mos ndiejë kurrë siguri absolute se Azia Qendrore, Kaukazi dhe Turqia janë plotësisht brenda sferës së saj, sepse sapo Kina ta ketë atë siguri, do të ketë aftësi më të madhe për të projektuar fuqi jashtë, veçanërisht drejt Tajvanit.

Strategjia amerikane duhet të jetë t’ia mohojë Kinës atë siguri absolute.

Në këtë kuptim, Irani është pjesë e kësaj gare më të madhe. Irani është pjesë e strehës apo fortesës që Kina dhe Rusia po përpiqen të ndërtojnë në zemrën euroaziatike.

Por, vetë Irani nuk është çështje përcaktuese në garën SHBA-Kinë. E gjithë Euroazia është.

Radio Evropa e Lirë: A mund të shënojë ky takim një pikë kthese në mënyrën se si Uashingtoni dhe Pekini angazhohen në krizat e mëdha ndërkombëtare të sigurisë në të ardhmen?

Ken Moriyasu: Jo, absolutisht jo. Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë vizione thelbësisht të ndryshme për Euroazinë, dhe ajo konkurrencë do të vazhdojë pavarësisht këtij samiti.

Çdo marrëveshje taktike që arrijnë: marrëveshje për sojë, marrëveshje për Boeing apo çfarëdo tjetër, nuk e ndryshon strukturën më të gjerë.

Struktura reale është konkurrenca e fuqive të mëdha për zemrën euroaziatike.

Radio Evropa e Lirë: Disa ligjvënës republikanë argumentojnë se Trump duhet ta kritikojë publikisht Kinën për mbështetjen që i jep Iranit prapa skenave. Sa i përhapur është ky qëndrim në Uashington tani?

Ken Moriyasu: Çdo mbështetje që Kina i jep Iranit prapa skenave është taktike. Nuk është çështja themelore.

Çështja themelore është se Kina ka nevojë për regjimin në Teheran për strategjinë e saj kontinentale. Se a zemërohen senatorët për ndihmën prapa skenave është çështje dytësore krahasuar me realitetin shumë më të madh strategjik.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

“Aleate e rëndësishme”: SHBA-ja synon përfshirjen e Kosovës në korridoret rajonale të energjisë (INTERVISTA)

I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë për integrimin energjetik, Joshua Volz (djathtas) dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Sarajevë, John Ginkel. Sarajevë, 7 prill 2026.

 

Valona Tela

I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë për integrimin energjetik, Joshua Volz, thotë se Uashingtoni po e rrit angazhimin e tij në Ballkanin Perëndimor për të forcuar sigurinë energjetike të aleatëve dhe për të ulur varësinë e tyre nga furnizimet ruse.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se Rusia e ka përdorur vazhdimisht energjinë si mjet gjeopolitik dhe se SHBA-ja synon t’i zëvendësojë “molekulat ruse” me burime të tjera energjetike përmes zgjerimit të infrastrukturës në Evropën Juglindore.

Ai e përshkruan sigurinë energjetike si siguri kombëtare, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me rritjen ekonomike, investimet dhe stabilitetin politik në rajon.

Për Kosovën, Volz thotë se është një aleate shumë e rëndësishme dhe një vend “në nevojë urgjente për modernizimin” e sistemit energjetik.

“… kur kushtet e tregut të ndryshojnë dhe mjedisi i biznesit bëhet më tërheqës për investimet energjetike amerikane, Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit mes industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë: Disa nisma të fundit – të mbështetura nga SHBA-ja në fushën e energjisë – janë shpallur ose diskutuar me Shqipërinë, Kroacinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi. Çfarë e ka nxitur këtë angazhim të ripërtërirë të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor?

Joshua Volz: Së pari dhe mbi të gjitha, ne po përpiqemi të përdorim energjinë dhe burimet energjetike të SHBA-së për t’i mbështetur partnerët dhe aleatët tanë në mbarë botën, duke u dhënë atyre mundësi më të mira dhe qasje më të madhe në diversifikimin energjetik dhe sigurinë energjetike.

Prandaj, këto angazhime të ripërtërira, si në nivel marrëveshjesh ndërqeveritare, ashtu edhe në projekte infrastrukturore, mundësojnë që Shtetet e Bashkuara të ofrojnë burime energjetike të sigurta, të besueshme, të përballueshme dhe të qëndrueshme për partnerët dhe aleatët tanë, të cilët, më herët, kanë qenë tepër të varur nga burime dhe rrugë energjetike që kanë ndikuar negativisht në sigurinë energjetike të rajonit.

Ballkani Perëndimor është një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e arkitekturës globale të energjisë dhe ka potencial të madh investimesh për bizneset dhe industrinë amerikane, por pa burime të sigurta, të besueshme dhe të përballueshme të energjisë, investimet në këto ekonomi nuk mund të rriten. Andaj, ne po i japim përparësi riangazhimit dhe rritjes së bashkëpunimit me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor.

“Molekulat ruse” dhe strategjia amerikane e energjisë

Radio Evropa e Lirë: Si lidhen këto projekte me përpjekjet globale për të zvogëluar varësinë nga energjia ruse, sidomos në rajone si Evropa Juglindore?

Joshua Volz: Ju nuk mund t’i kërkoni dikujt të zëvendësojë diçka me asgjë. Ne e kemi parë koston e madhe që Evropa ka paguar për varësinë e tepruar nga burimet ruse.

Rusia ka qenë vazhdimisht e gatshme për ta përdorur energjinë si armë dhe si mjet për presion politik. Ne nuk duam që partnerët dhe aleatët tanë të vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e opsioneve energjetike, që krijon varësia e madhe nga Moska.

Prandaj, ne po i ofrojmë burimet energjetike amerikane për të zëvendësuar molekulat ruse. Ky është një nga elementet më të rëndësishme të përputhjes strategjike mes presidentit [amerikan, Donald] Trump dhe presidentes [së Komisionet Evropian] Ursula von der Leyen. Të dy e duan eliminimin e energjisë ruse nga sistemi energjetik evropian deri në fund të vitit 2027. Ky është një objektiv shumë ambicioz dhe kërkon shumë punë.

Për këtë arsye, po shihni një fokus të madh nga nivelet më të larta të Qeverisë amerikane – nga Departamenti i Energjisë, Këshilli për Dominancën Energjetike Kombëtare, Departamenti i Shtetit dhe institucionet e tjera – që po punojnë në mënyrë të koordinuar për të hapur rrugë të reja tregtare dhe për t’i bërë ato rrugë ekonomikisht të qëndrueshme, të sigurta dhe të përballueshme, në mënyrë që energjia amerikane të mund të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë energjetike të Evropës.

Energjia si siguri kombëtare

Radio Evropa e Lirë: A kanë këto nisma të bëjnë kryesisht me sigurinë energjetike, apo pasqyrojnë edhe interesa më të gjera strategjike dhe gjeopolitike të SHBA-së në rajon?

Joshua Volz: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Siguria energjetike është siguri kombëtare. Ne nuk shohim asnjë dallim mes këtyre dy gjërave. Nëse nuk keni siguri energjetike, nuk keni asnjë lloj sigurie, sepse energjia prek dhe mbështet gjithçka. Ajo është themelore për rritjen e ekonomisë, për krijimin e vendeve të punës dhe për ndërtimin e buxheteve që mund të financojnë mbrojtjen dhe sigurinë e kufijve.

Pra, energjia është themeli i gjithçkaje që bëjmë në marrëdhëniet tona me partnerët dhe aleatët në mbarë botën. Siguria energjetike është vërtet baza e gjithë sigurisë dhe e gjithçkaje që rrjedh prej saj.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë përfitimesh konkrete mund të presin vendet e rajonit në pesë deri në dhjetë vjetët e ardhshëm?

Joshua Volz: Unë mendoj se do të shihni një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja direkte në këto vende që zgjedhin të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara për sigurinë dhe diversifikimin e tyre energjetik, sepse kompanitë e dinë që, nëse SHBA-ja ofron energji dhe është një element themelor i ekonomisë në këto juridiksione, atëherë kjo është diçka e besueshme.

Asnjëherë – as gjatë uraganeve, fatkeqësive natyrore, luftërave, konflikteve apo mbylljes së Ngushticës së Hormuzit – prodhuesit amerikanë nuk kanë dështuar t’i dërgojnë ngarkesat që i kanë pasur të kontraktuara.

Kjo besueshmëri dërgon një sinjal shumë të fortë tregu për këdo që bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara në fushën e energjisë, se këto burime do të jenë të garantuara dhe se investimet do të mbështeten nga një zinxhir furnizimi energjetik që është i qëndrueshëm, i përballueshëm dhe i sigurt.

Si rezultat, do të ketë një rritje të madhe të investimeve të huaja direkte në këto vende. Do të rritet gjithashtu aftësia për të bërë zgjedhje më të mira në sigurinë energjetike, për shkak të diversifikimit dhe marrëdhënieve më të afërta me industrinë amerikane. Këto lidhje ekonomike dhe tregtare do të forcohen jo vetëm në sektorin e energjisë, por edhe shumë përtej tij.

Siguria energjetike përballë tranzicionit të gjelbër

Radio Evropa e Lirë: Siç e përmendët edhe ju më herët, BE-ja do që rajoni ta zvogëlojë varësinë nga gazi rus, por, në të njëjtën kohë, po shtyn përpara edhe dekarbonizimin dhe ka ngritur shqetësime për transparencën dhe rregullat e tregut në disa projekte, përfshirë në Bosnje dhe Hercegovinë. Si i shihni ju këto shqetësime?

Joshua Volz: Mendoj se për këto shqetësime duhet të merren parasysh parimet bazë. Dhe, parimi kryesor është se, së pari, duhet ta siguroni energjinë, përpara se të filloni të merrni vendime për energjinë.

Aktualisht, Ballkani Perëndimor dhe Evropa Qendrore e Lindore përballen me një zgjedhje mes burimeve energjetike të pasigurta dhe të përdorura si mjet presioni politik, të cilat janë themeli i ekonomive të tyre, dhe burimeve energjetike të besueshme, që ofrojnë partneritet me Shtetet e Bashkuara, si dhe mundësi për rritje ekonomike dhe për të financuar shpenzimet e nevojshme për mbrojtje – sidomos në kontekstin e konflikteve si lufta në Ukrainë gjatë katër vjetëve të fundit.

Për ne, kjo është zgjedhja midis një sistemi energjetik të bollshëm ose një sistemi që vuan nga mungesa e burimeve. Dhe, nëse shikoni tkurrjen ekonomike dhe industriale që ka ndodhur si pasojë e disa politikave energjetike të ndjekura nga partnerët tanë evropianë, nuk besoj se kjo është diçka me të cilën janë të kënaqur partnerët tanë në këto ekonomi. Askush nuk dëshiron rënie ekonomike apo tkurrje industriale, dhe disa nga politikat e ndjekura deri më tani, duke tentuar të eliminojnë pjesë thelbësore të sistemit energjetik, kanë çuar në këto rezultate.

Shpresoj që partnerët dhe aleatët tanë evropianë ta marrin këtë parasysh, ndërsa rishikojnë dhe riorganizojnë sistemin e tyre energjetik drejt partnerëve më të besueshëm, më të sigurt dhe më të përballueshëm.

Radio Evropa e Lirë: A bien ndesh këto projekte energjetike në Ballkanin Perëndimor – të mbështetura nga SHBA-ja – me rregullat e BE-së dhe objektivat e tranzicionit të gjelbër?

Joshua Volz: Ne po punojmë shumë ngushtë me partnerët tanë në Bruksel, për të siguruar që dinamikat e tregut brenda kufijve të BE-së dhe jashtë tyre të jenë të harmonizuara, pasi disa nga këto vende në Ballkanin Perëndimor nuk janë ende pjesë e BE-së. Shumë prej tyre kanë aspirata për anëtarësim në BE, por disa nuk janë brenda Unionit.

Megjithatë, ne po bashkëpunojmë me partnerët në Bruksel, për të siguruar që kushtet e tregut të lehtësojnë zgjerimin e korridoreve dhe rrugëve energjetike, si dhe aftësinë që burimet energjetike amerikane të mbështesin ekonomitë dhe sigurinë energjetike, për arsyet që ne i ndajmë bashkë me partnerët dhe aleatët tanë evropianë.

Kemi parë përparim të rëndësishëm në [infrastrukturën e] Korridorit Vertikal drejt harmonizimit të rregullave dhe mbështetjes së produkteve të kombinuara – gjë që mundëson vendime afatgjata ekonomike dhe krijon bazën për këto mundësi.

Prandaj, po punojmë ngushtë me kolegët në Bruksel për të siguruar që struktura e tregut të jetë e duhur për t’i mbështetur këto objektiva.

Investimet varen nga kushtet e tregut

Radio Evropa e Lirë: Dua të kaloj tani te Kosova. Aktualisht, Kosova nuk ka infrastrukturë të gazit natyror dhe nuk është drejtpërdrejt pjesë e këtyre iniciativave. Ku gjendet Kosova në strategjinë rajonale të energjisë së SHBA-së?

Joshua Volz: Kosova është një partnere dhe aleate shumë e rëndësishme dhe Shtetet e Bashkuara ishin të parat që e njohën pavarësinë e Kosovës. Ne po vazhdojmë ta forcojmë edhe më tej marrëdhënien tonë me partnerët në Prishtinë, dhe mundësitë ekonomike atje janë të konsiderueshme.

Sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe paraqet një mundësi të madhe për industrinë dhe teknologjinë amerikane që të hyjnë, ta modernizojnë atë, të rrisin prodhimin dhe efikasitetin e tij dhe, në këtë mënyrë, të ndihmojnë në nxitjen e rritjes ekonomike në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: A ka diskutime ose plane që mund ta lidhin Kosovën me infrastrukturën rajonale të gazit, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi?

Joshua Volz: Kjo është pjesë e diskutimeve më të gjera që po zhvillohen dhe po lehtësohen nga rritja e furnizimeve me burime energjetike amerikane përmes korridoreve të ndryshme në Evropë.

Ato përfshijnë Korridorin Vertikal, që ka pikë hyrëse në Greqi, si dhe disa terminale lundruese për gaz natyror, përfshirë atë në ishullin Kërk në Kroaci dhe një interkonektor të ri mes Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë.

Kjo përbën një hap të madh përpara në krijimin e rrugëve dhe arterieve që do të mundësojnë që gazi natyror amerikan të arrijë në vende si Kosova.

Ky është një hap i domosdoshëm i parë, por sigurisht jo i fundit. Qëllimi ynë është që burimet energjetike amerikane të arrijnë te të gjithë partnerët dhe aleatët tanë që janë të interesuar për një bashkëpunim afatgjatë energjetik me industrinë amerikane dhe me Shtetet e Bashkuara.

Ministrja në detyrë e Energjisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, dhe e ngarkuara me punë e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, në konferencën MCC-Kosovo Compact. Prishtinë, 6 maj 2026.

Ministrja në detyrë e Energjisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, dhe e ngarkuara me punë e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, në konferencën MCC-Kosovo Compact. Prishtinë, 6 maj 2026.

Radio Evropa e Lirë: Pra, a shihet Kosova si një treg i qëndrueshëm dhe tërheqës për projekte të ardhshme energjetike, dhe çfarë do të duhej të përmirësonte për të tërhequr investime më të mëdha?

Joshua Volz: Sa i përket energjisë, unë mendoj se Kosova është padyshim një treg i gatshëm për investime, i mbushur me mundësi dhe në nevojë për modernizim.

Për tërheqjen e investimeve më të mëdha, duhet të krijohen më shumë nxitje për investimet e sektorit privat amerikan dhe për financimet ndërkombëtare që të hyjnë në Kosovë. Këto janë çështje me të cilat po merren shumë seriozisht kolegët e mi në Departamentin e Tregtisë, Departamentin e Thesarit dhe Departamentin e Shtetit.

Nëse dhe kur kushtet e tregut të ndryshojnë dhe mjedisi i biznesit bëhet më tërheqës për investimet energjetike amerikane, Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit mes industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë.

Senatori Tillis paralajmëron se bota po përballet me ringjalljen e “Boshtit të Ligësisë”

Senatori amerikan, Thom Tillis, gjatë intervistës me Radion Evropa e Lirë.

 

Alex Raufoglu

Senatori Thom Tillis, bashkëkryesues i Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senatin amerikan dhe ligjvënës republikan nga Karolina e Veriut ka një mesazh për ata që e shohin konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme si ngjarje të izoluara: Nuk janë.

Në epokën e aleancave globale që po ndryshojnë, Tillis argumenton se bota po përballet me ringjalljen e “Boshtit të Ligësisë” të udhëhequr nga Rusia dhe Irani – një partneritet që ai beson se ka shkuar përtej një raporti të përkohshëm interesi dhe është shndërruar në një aleancë strategjike ushtarake.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 prill, Tillis, një nga kritikët e pakët brenda Partisë Republikane, foli për rreziqet e mëdha të peizazhit aktual gjeopolitik, mundësisë “së papranueshme” të ngrirjes së konfliktit në Ukrainë dhe pse ai beson që presidenti rus, Vladimir Putin, mban përgjegjësi personale për vdekjen e amerikanëve.

Radio Evropa e Lirë: Po shohim një ndryshim në peizazhin global që duket më i koordinuar se kurrë më parë. Ju keni ndjekur nga afër Rusinë dhe Iranin dhe mënyrën se si ata po shënjestrojnë SHBA-në dhe aleatët e saj. Pyetja është, a është ky partneritet një aleancë e vërtetë apo një marrëveshje taktike që mund të zhbëhet?

Thom Tillis: Oh, jo, është më e thellë se kaq. Kjo u bë shumë e qartë kur sheh mbështetjen materiale që Irani i ka dhënë Rusisë në Ukrainë: fillimisht përmes teknologjisë së dronëve, dhe tani pala tjetër, Rusia duke ofruar informacion se si mund të shënjestrojnë asetet amerikane dhe asetet e partnerëve tanë në rajon. Është absolutisht një aleancë strategjike dhe në thelb është pjesë e atij Boshti i Ligësisë të vjetër.

Boshti i Ligësisë është ende gjallë dhe po funksionon. Në disa aspekte, madje është përkeqësuar sa i përket vdekjeve në fushëbetejë dhe humbjeve të ushtarëve amerikanë përmes përdorimit të teknologjisë që është prodhuar nga Irani dhe më pas është përmirësuar me ndihmën e Rusisë.

Radio Evropa e Lirë: Cila është gjëja më e rëndësishme që po kalon nga njëra dorë në tjetrën: inteligjenca, teknologjia apo ambicia bërthamore?

Thom Tillis: Ambicia bërthamore është diçka që duhet ta vëzhgojmë me shumë kujdes. Tani e dimë se kapacitetet e tyre për lëshim janë shumë më të mëdha sesa ata kanë sugjeruar. E dimë se, sipas vlerësimeve më të fundit të inteligjencës, ata janë muaj, në mos javë larg nga aftësia për të pasuruar uraniumin në një nivel që nevojitet për armë bërthamore. Pra, një rezervë uraniumi të pasuruar në nivel armësh bërthamore dhe kapacitetet për raketa balistike ndërkontinentale janë pikërisht arsyeja pse [presidentit amerikan, Donald] Trumpit iu desh të bëjë atë që bëri në Iran.

Rusia nuk do të donte asgjë më shumë sesa të kishte një shtet me aftësi bërthamore në Lindjen e Mesme për të destabilizuar rajonin, dhe mendoj se deri në një masë, edhe Kina po ashtu, sepse ata e kanë kuptuar tani se SHBA-ja shihet si forcë destabilizuese në Lindjen e Mesme. Dhe, në momentin që Irani të ketë një kapacitet të tillë do ta destabilizonte rajonin në nivele që nuk i kemi parë më herët.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Rusia po i jep inteligjencë Iranit kundër SHBA-së, a ka hyrë Putini në luftën në Lindjen e Mesme?

Thom Tillis: Po, ka hyrë. Por, o Zot, Rusia – prandaj jam pak i shqetësuar me qëndrimin e administratës. Do të them një gjë: dje, gjatë fjalimit të mbretit [të Mbretërisë së Bashkuar Charles] para Kongresit, shpresoj që populli ukrainas ta ketë parë ngritjen në këmbë të çdo anëtari që ishte në sallë kur mbreti foli për mbështetjen ndaj Ukrainës.

Putini po përpiqet të bëjë çmos që t’i ketë të dyja: të pretendojë sikur mund të jetë mik ose të bashkëjetojë me Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që në të vërtetë kjo është gjëja e fundit në mendjen e tij.

Ai dëshiron të zhdukë çdo ndikim të SHBA-së nga Evropa dhe nga Lindja e Mesme. Aktualisht, ai të paktën po e arrin qëllimin e tij në Lindjen e Mesme përmes mbështetjes së tij, mbështetjes materiale, për Iranin. Por, ky person është përgjegjës.

Kam thënë diçka që mendoj se i ka befasuar disa njerëz: në disa aspekte, ai është si [komandanti i vrarë iranian, Qassem] Soleimani. Ai mban përgjegjësi për vdekjen e amerikanëve. Është vetëm numri që bën dallimin.

Soleimani ishte akuzuar gjerësisht se kishte qenë përgjegjës për qindra vdekje të pjesëtarëve të ushtrisë amerikane. Nuk ka dyshim se gjaku i ushtarëve amerikanë është në duart e Vladimir Putinit, përmes përfaqësuesve të tij, përmes punës së tij me Iranin dhe përmes bashkëpunimit me mercenarë.

Ne duhet ta njohim Putinin për atë që është. Ai është një mbetje e kohërave të vjetra të komunizmit dhe madje nuk përfaqëson shumicën e popullit rus, por ai i qeverisë ata me grusht të hekurt. Ai do të bëjë gjithçka që mundet për të zvogëluar rolin dhe ndikimin e SHBA-së dhe për të tentuar që të zhdukë demokracinë. Ai është qartësisht antidemokratik, prokomunist dhe prototalitar.

Radio Evropa e Lirë: Referenca që përmendët ishte fjalimi i mbreti Charles. Ai fjalim në fakt pati jehonë edhe në Evropën Lindore, ku disa mund ta shohin se nuk po bëhet fjalë për dy konflikte të ndara, por për një luftë të mundshme globale që po zhvillohet në disa fronte. A jeni dakord me këtë vlerësim?

Thom Tillis: Besoj që po. Bota sot është e vogël, dhe duhet ta pranojmë që kundërshtarët tanë nuk po mendojnë vetëm për vendet që janë pranë kufijve të tyre – ata po shikojnë shumë më larg se kaq. Kjo është një përballje mes botës demokratike dhe botës totalitare. Ka qenë gjithmonë kështu dhe ndoshta gjithmonë do të jetë. Por, duhet ta shohim këtë si një mozaik.

Madje duhet të shkojmë përtej Iranit. Shikoni aktivitetet e Rusisë në Afrikë, veçanërisht në Afrikën e Veriut. Shikoni çfarë po bëjnë në Ukrainë. Shikoni luftën hibride që po zhvillojnë tani në Moldavi dhe në Ballkan dhe në mbarë Evropën Lindore. Ata tani janë në luftë dhe ne ndoshta po punojmë për ta frenuar atë, por ne mund ta përfundojmë këtë luftë.

Nuk ka asnjë mënyrë që Vladimir Putini të fitojë nëse ne e mbajmë fokusin tek Ukraina. Lejimi i fitores së tij atje vetëm i jep një bazë për të nxitur urrejtje dhe parime antidemokratike në mbarë Evropën Lindore dhe në Afrikë dhe kjo është lufta botërore që ai dëshiron ta zhvillojë dhe ta fitojë.

Radio Evropa e Lirë: A është dobësia më e madhe e Perëndimit mosfuqia e tij ushtarake, por një vëmendje gjithnjë e më e shkurtër?

Thom Tillis: Po, po flisni në kuptimin e mbajtjes së përpjekjes në Iran apo Ukrainë?

Radio Evropa e Lirë: Të dyja.

Thom Tillis: Është. Unë e dua Amerikën, natyrisht, por populli amerikan mund të shpërqendrohet shumë shpejt ose të kalojë në një temë tjetër. Luftërat janë gjëra shumë të vështira. Ne rrezikojmë që diçka të tërheqë vëmendjen e të gjithëve për një kohë dhe më pas të bëhet diçka që ata duan ta tejkalojnë. Por, nuk mund të kalosh përtej një kërcënimi bërthamor nga Irani. Nuk mund të kalosh përtej ndikimit shkatërrues të një humbjeje në Ukrainë. Duhet të vazhdosh t’u kthehesh votuesve dhe t’u kujtosh se ky është një kërcënim për Shtetet e Bashkuara. Nuk është një vend i largët që nuk na prek, do të ketë një ndikim të madh.

Nëse Irani bëhet fuqi bërthamore, do të ketë një ndikim të madh. Nëse Rusia shpërblehet duke e mposhtur Ukrainën, do të ketë një ndikim të thellë. Kjo është një lloj tjetër lufte botërore, por është një që po zhvillohet mes të mirëve dhe të këqijve dhe popullit amerikan duhet t’i përkujtohet vazhdimisht kjo.

Radio Evropa e Lirë: SHBA-ja dhe aleatët e saj janë mbështetur shumë në sanksione ndaj vendeve si Irani dhe Rusia, veçanërisht kur ato veprojnë së bashku. Duke marrë parasysh aftësinë e tyre në rritje për t’u përshtatur dhe për t’i shmangur kufizimet, a po e humbin sanksionet, në përgjithësi, efektivitetin si mjet politik?

Thom Tillis: Mendoj se po. Ne kemi një thënie: jemi në pozicion më të mirë kur sanksionet tona janë të koordinuara. Të jem i sinqertë, kam qenë i zemëruar me faktin që Evropa ka mbetur disi prapa. Nëse e mbani mend, edhe me sanksionet ndaj Iranit, kishim vende të ndryshme që janë partnerë dhe aleatë tanë – disa në NATO – të cilat kishin interesa biznesi atje, gjë që ua bënte shumë të vështirë të ecnin përpara me një regjim të koordinuar sanksionesh. Por, kështu mund t’i fitojmë shumë prej këtyre luftërave, nëse thjesht i bëjmë njerëzit të kuptojnë koston afatgjatë të lejimit që Irani të mos mbahet përgjegjës.

Kostoja afatgjatë e lejimit që Rusia të bëjë atë që po bën është shumë më e madhe se çdo kosto afatshkurtër që mund të pësojë ata përmes sanksioneve. Duhet të fillojmë ta shohim këtë në mënyrë më gjithëpërfshirëse. Të jem i sinqertë, nëse Evropa do të kishte qenë më e gatshme të zbatonte sanksione të koordinuara, veçanërisht ndaj Iranit, ndoshta mund ta kishim shmangur këtë konflikt.

Por, njerëzit nuk duhet ta harrojnë: kur po përpiqeshim ta sillnim Iranin në tryezë të bisedimeve përmes sanksioneve ekonomike, kishte shtete që hezitonin. Kështu ato e dobësuan efektin që sanksionet mund të kishin. Shpresoj që të arrijmë në një pikë ku të gjithë ta kuptojnë se sanksionet e koordinuara mund ta shkurtojnë kohën për të arritur diçka të mirë. Duhet të ndalojmë së shikuari vetëm pasojat ekonomike në periudha gjashtëmujore apo njëvjeçare.

Deri në një farë mase, kjo është ajo që po bën edhe presidenti tani. Ai e kupton se lufta nuk është temë popullore në SHBA dhe se njerëzit janë të shqetësuar për disa nga pasojat ekonomike, por ka të drejtë që e sheh pamjen më të gjerë dhe është i gatshëm t’u bëjë ballë kritikave dhe të vazhdojë t’ia shpjegojë këtë popullit amerikan.

Ne duhet të bëjmë një punë më të mirë për të shpjeguar saktësisht se ku do të arrijmë sa i përket Iranit, nëse duam të kemi më shumë mbështetje nga populli amerikan, dhe besoj se kemi ende punë për të bërë sa i përket opinionit publik.

Radio Evropa e Lirë: Fuqia e Perëndimit qëndron po ashtu në unitetin mes aleatëve të tij, diçka në të cilën ju personalisht keni investuar shumë përpjekje. Ju pashë në Munih në fillim të këtij viti – para Hagës, gjatë samitit të NATO-s – duke u angazhuar me aleatët dhe duke punuar për të ndërtuar konsensus. Në atë kohë, Irani nuk ishte pjesë e diskutimit. Tani, megjithatë, Irani është futur në tablo. Nëse NATO-ja veçse po vihet në provë nga Rusia, a e rrit përfshirja e Iranit nivelin e rrezikut në një nivel krejtësisht të ri?

Thom Tillis: Mendoj se po. Duhet ta shohim Iranin për atë që është. Ata janë një partner në luftën në Ukrainë. Ata vendosin në të njëjtën mënyrë si Koreja e Veriut. Dua të them, ne kemi tani mijëra njerëz nga Koreja e Veriut në Rusi që po prodhojnë dronë e që në fund do të jenë pjesë e arsenalit në Korenë e Veriut.

Ka disa shtete që po punojnë së bashku për të mposhtur Ukrainën, dhe në mesin e tyre, Irani është ndër të parët. Njerëzit duhet ta kuptojnë këtë dhe ne duhet ta kundërshtojmë, duhet ta kundërshtojmë me partnerët dhe aleatët tanë, jo në mënyrë të njëanshme, jo vetëm, sepse të gjithë kemi interesa të përbashkëta, interesa reciproke, në mposhtjen e tyre.

Radio Evropa e Lirë: A e ka kuptuar Putini se nuk ka nevojë ta mposhtë Perëndimin, por mjafton që të jetojë më gjatë se ai?

Thom Tillis: Të jetojë më gjatë. Ata duan të tentojnë që të mbijetojnë më shumë se ne. Dhe, besoj se ne duhet të kthehen, kjo është shumë e rëndësishme. Më kujtohet [ish-presidenti amerikan Barack] Obama, kur nuk e dinte që e kishte të ndezur mikrofonin dhe që tha ‘mund të jem më fleksibil pas zgjedhjeve” karshi Vladimir Putinit.

Kemi pasur një president demokrat dhe një republikan gjatë 20 vjetëve të fundit që kanë treguar gatishmëri për kompromis me një njeri, qëllimi përfundimtar i të cilit është që çdo komb tjetër t’i nënshtrohet atij. Ne të gjithë duhet ta shohim atë përmes këtij këndvështrimi, dhe nëse nuk e bëjmë, e marrim përsipër rrezikun.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta zgjerojë ky partneritet në rritje kapacitetin e mbrojtjes së Perëndimit? A është kjo diçka kritike?

Thom Tillis: Mund të ndodhë. Fakti që jemi në Iran dhe që kemi përdorur rezerva tregon se edhe kombi më i fuqishëm në Tokë ka kufizimet e tij, prandaj duhet të jemi shumë selektivë në mënyrën se ku i shpenzojmë burimet tona dhe ku i pozicionojmë të gjitha asetet tona, përfshirë burrat dhe gratë në uniformë sepse të gjitha këto burime janë të kufizuara.

Duhet ta kemi parasysh këtë në një botë ku ne, SHBA-ja – dhe mendoj se e thash këtë edhe në Munih – vërtet duhet të jemi kudo, në çdo kohë. Pyetja është: në çfarë niveli dhe deri në çfarë mase duhet të presim më shumë nga partnerët tanë, në mënyrë që të mund të kemi atë ndikim dhe të mos e ekspozojmë veten në asnjë teatër apo zonë konflikti?

Radio Evropa e Lirë: Me aleatët që po forcojnë mbrojtjen e tyre, a mund të marrë fund ai argumenti “aleatët që nuk kontribuojnë”?

Thom Tillis: Prandaj e kam thënë – e di që është e pakëndshme – unë gjithmonë përdor analogjinë e familjes sime. Jam rritur në një familje me gjashtë fëmijë. NATO më kujton një familje të madhe ku nuk pajtohemi të gjithë. Debatojmë, dikush zemërohet dhe nuk vjen për Krishtlindje apo diçka e ngjashme. Kjo është pjesë normale e një familjeje, por në fund të ditës, ne duhet ta mbrojmë atë familje. Për mua, është muri mbrojtës kundër totalitarizmit.

Nëse mendojmë se mund të veprojmë vetëm – kushdo që mendon se mund të veprojë vetëm është naiv, nuk e kupton fuqinë e aleancës sonë. Nuk e kupton sa kërcënuese është ajo për kundërshtarët tanë.

Vladimir Putini, ndoshta po vepron në mënyrë transaksionale me Iranin dhe Korenë e Veriut dhe po ndjek qëllimet e tij në Ukrainë, por ata nuk kanë aleatë në mënyrën si ne e kuptojmë këtë. Ata nuk kanë aftësinë të fluturojnë në Kabul dhe të realizojnë një nga operacionet më të jashtëzakonshme logjistike në historinë moderne, siç ishte evakuimi nga Afganistani.

Pavarësisht se çfarë thuhet për tërheqjen nga Afganistani, e di që aleatët tanë e shohin atë si përpjekje të koordinuar dhe mendojnë se nuk ka asnjë mundësi që ata ta realizonin një gjë të tillë dhe kjo është diçka që vjen vetëm nga një aleancë 75-vjeçare dhe nga raporte të mira pune me vende të tjera liridashëse.

Ne duhet të ndërtojmë mbi këtë sepse kjo nuk është diçka që Kina mund ta kopjojë. Ata mund të marrin pronën tonë intelektuale dhe të ndërtojnë një F-35 që i ngjan tonit, dhe Rusia mund të vjedhë teknologji dhe të pretendojë se është në të njëjtin nivel për sa i përket kapaciteteve luftarake, por ata e dinë se nuk mund të mbajnë një përpjekje luftarake siç munden SHBA-ja, partnerët dhe aleatët tanë, falë marrëdhënieve që kemi ndërtuar dhe gjithë ekspertizës që vjen me këtë raport. Por, aleatët tanë në NATO duhet të investojnë.

Arsyeja pse jam dakord me presidentin është se janë lejuar të mos shpenzohen 2 trilionë dollarë gjatë 24 vjetëve të fundit. Kjo do të mund të kishte modernizuar sistemet tona. Do të mund të kishte forcuar bazën industriale. Nuk do të flisnim për rindërtimin e një baze industriale nëse ato shtete të NATO-s thjesht do të kishin shpenzuar për mbrojtje tonë të përbashkët atë për të cilën ishin pajtuar. Prandaj presidenti është i zemëruar.

Ai ka krijuar tensione brenda familjes, por fakti është se anëtarëve të familjes u është dashur t’u thuhej se sjellja e tyre ishte e papranueshme dhe prandaj jemi këtu ku jemi. Mënyra më e mirë për t’u rikthyer te një ‘festë e madhe dhe e gëzuar e Krishtlindjes’ është që ata të kontribuojnë me pjesën e tyre dhe në të ardhmen të bëjnë atë që nuk e kanë bërë për gati 50 vjet. Më pëlqen kjo analogji.

Radio Evropa e Lirë: Ju e keni mbështetur sovranitetin e Ukrainës prej vitesh, që nga fillimi. Nëse konflikti ngrin nesër, a paraqet kjo një fitore për Perëndimin, apo është vetëm pjesa e parë e lojës?

Thom Tillis: Nëse konflikti ngrin, është një barazim. Në fakt, në shumë aspekte, mendoj se është humbje. Jo, të jem i sinqertë, nuk mendoj se është barazim. Nëse ngrin, është humbje, sepse Perëndimi në thelb ka shpërblyer sjelljen e një gënjeshtari – dikujt që nisi me Vladimir Putinin duke thënë se do të ishte një stërvitje ushtarake dhe më pas një operacion i posaçëm ushtarak. E ashtuquajtura fuqi e madhe është ndalur nga një shtet që funksiononte me burime minimale. Tani, ata [Rusia] janë një hije e një superfuqie.

E vetmja arsye pse i marrim seriozisht është se kanë një arsenal bërthamor. Nuk kanë kapacitete konvencionale për t’u krahasuar, madje as me Ukrainën. A mund ta imagjinoni si do të dukej një përballje me Shtetet e Bashkuara?

Pra, lejimi i një fitoreje nga një vend i rangut të dytë, që ka pushtuar paligjshëm një shtet sovran, ose pranimi i një barazimi, për mua është humbje për Perëndimin. Ai duhet të humbasë. Duhet të humbasë qartë dhe më pas të kthehet e t’u shpjegojë qytetarëve rusë pse lejoi që qindra mijëra njerëz të vdisnin në ndjekje të diçkaje që nuk duhej ta kishte nisur kurrë. Ai duhet të kthehet dhe të japë llogari para popullit rus për pasojat shkatërruese ekonomike që po përjetojnë tani. Duhet të japë përgjegjësi për dhjetëra mijëra fëmijë që janë rrëmbyer dhe janë zhvendosur në Rusi. Kjo nuk mund të shpërblehet. Nuk mund të jetë barazim. Një barazim për të është fitore.

Radio Evropa e Lirë: Le t’i kthehemi sërish Iranit. Trump ka sugjeruar se shtetet e tjera duhet të kontribuojnë sa i përket sigurisë në Ngushticën e Hormuzit. Nëse SHBA-ja tërhiqet, a besoni se aleatët – evropianë dhe ata në Lindjen e Mesme – mund t’ia dalin vetëm?

Thom Tillis: Do të ishte një gabim i tmerrshëm nëse SHBA-ja do të tërhiqej. Po ashtu mendoj se është gabim që SHBA-ja thjesht të thotë se e kemi krijuar këtë bllokadë dhe tani rregullojeni ju. Mendoj se SHBA-ja duhet një rol shumë të rëndësishëm në koordinimin e kësaj pune.

Besoj se, nëse shkoni në Tajvan, Kore, Japoni dhe në një sërë vendesh të tjera që varen nga Ngushtica e Hormuzit për energji dhe produkte të tjera, ato të gjitha mund të luajnë një rol në stabilizimin e Ngushticës së Hormuzit dhe ndoshta duhet të kemi një prani atje për ta bërë shumë të pamundur që Irani ta mbyllë atë në mënyrë arbitrare. Duhet të ketë një prani të qëndrueshme në Hormuz, por nuk mjafton të thuhet: ‘Shkoni dhe rregullojeni vetë’.

Besoj se SHBA-ja duhet të luajë rol udhëheqës, të vendosë partnerët e duhur në vend. Mund të përfshijë disa nga Evropa, por mendoj edhe nga zona e Indo-Paqësorit në mënyrë që kjo të mund të mirëmbahet me kalimin e kohës.

Radio Evropa e Lirë: Shpresoja gjithashtu që të ndihmonit lexuesit tanë që të kuptojnë afatin e 1 majit. Nëse afati sipas Rezolutës për kompetencat e luftës skadon, a e bën kjo luftën të paligjshme më 2 maj, apo çfarë ndodh më pas?

Thom Tillis: Rezoluta për kompetencat e luftës kërkon që administrata të raportojë brenda ditës së 60-të – që besoj se i bie të premten – mbi gjendjen e luftës dhe të kërkojë të paktën një zgjatje sipas kësaj rezolute për të vazhduar aktivitetet aktuale. Ne kemi nevojë për detaje nga administrata.

Administrata do të bënte mirë të dilte dhe të thoshte qartë se e dimë që duhet të jemi aty edhe për 30 ditë të tjera. Ka njerëz si unë dhe të tjerë që po flasin për një autorizim për përdorimin e forcës ushtarake, gjë që unë do të doja ta bëja, për ta bërë shumë të qartë për mullahët dhe për ata që po udhëheqin Iranin tani se ne jemi në këtë [konflikt] për një afat të gjatë. Ne duhet të korrim sukses.

Ky është një tjetër shembull, i ngjashëm me Ukrainën, një barazim është i papranueshëm. Kemi humbur jetë njerëzish në këtë përballje gjatë 60 ditëve të fundit. E kemi Iranin në një nga pikat më të cenueshme që ka qenë në 47 vjetët që ky regjim ka qenë në pushtet. Që ne të mos synojmë një fitore shumë të qartë për një Iran jobërthamor dhe të mos shpenzojmë përpjekjen, kohën dhe burimet për ta arritur këtë, do të ishte një humbje e madhe. Do të ishte gabim.

Në fund të fundit, edhe pse lufta nuk është temë popullore tani, nëse i pyet njerëzit, mendoj se gjëja që do të ishte edhe më pak e pranueshme do të ishte që të tërhiqeshim dhe ta linim Iranin të vazhdonte aktivitetet e tij dashakeqe dhe ta lejonim të shndërrohej në një fuqi bërthamore.

Duhet të jemi aty. Duhet ta fitojmë. Në kuptim afatgjatë, duhet të flasim për partnerë dhe aleatë që ta mirëmbajnë këtë dhe të dalim me një strategji më të gjerë për paqen në Lindjen e Mesme. Është ende një vend shumë i rrezikshëm dhe tani është shumë më i rrezikshëm sesa ishte para 59 ditësh.

Radio Evropa e Lirë: Dhe në fund, kur e shikoni Lindjen e Mesme dhe Ukrainën, si duket një strategji fituese perëndimore kundër këtij boshti që po shfaqet?

Thom Tillis: Nëse doni një strategji fituese për Perëndimin, ajo është të synohet të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme me Iranin, e cila do të ratifikohej nga Kongresi. Është gjithashtu që të synohet një marrëveshje e qëndrueshme në Ukrainë, që do të ratifikohej nga Kongresi. Me fjalë të tjera, duhet ta ndërpresim këtë cikël të presidentëve si Obama që bien dakord për Marrëveshje bërthamore [të nënshkruar më 2015 mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Kinës, Rusisë dhe Gjermanisë, e krijuar për të siguruar një program bërthamor paqësor të Iranit].

Pajtohem se ishte një marrëveshje e keqe. E kam kritikuar që kur u arrit dhe një nga arsyet pse ishte e keqe është se administrata nuk bëri punën për të siguruar mbështetjen e Kongresit për ta ratifikuar atë.

Shpresoj që administrata e Trumpit të rishfaqet si një nga lideret dhe mbështetëset e Ukrainës, dhe gjithashtu të arrijë një marrëveshje të qëndrueshme me Iranin që të ngrihet në nivelin e një traktati që duhet të ratifikohet nga Kongresi, në mënyrë që të mund ta zbatojmë atë me kalimin e kohës dhe të mos jemi domosdoshmërish të rrezikuar nga prioritetet e administratës së ardhshme.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Intervista- Rashiti: Kosova, “paciente” pa terapi nga jashtë

Bekim Bislimi

Kosova po përjeton krizë politike e institucionale dhe gjendet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sërish “nuk garantojnë stabilitet”, vlerëson Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se në sytë e faktorit ndërkombëtar, Kosova po përjeton “krizë politike dhe institucionale sistematike”.

“Kjo situatë të bën joadekuat për të qenë bashkëbisedues me faktorin ndërkombëtar dhe me agjendat ndërkombëtare, qoftë për anëtarësim [në Bashkimin Evropian], qoftë për proceset e agjendave rajonale”, thotë Rashiti.

Sipas tij, Kosova ka vite që e ka humbur besueshmërinë në raport me faktorët ndërkombëtarë.

“Kosova është bërë një plagë e vogël, por pa ndikim përtej, e cila trajtohet si një ‘paciente’ e lënduar, e papjekur, e sëmurë dhe që duhet pritur të shërohet, por për të cilën nuk vjen terapia nga jashtë”, thekson Rashiti.

Siç thotë ai, Kosova aktualisht ka një kastë politike “që nuk i beson as vetvetes, as aktorëve rreth saj, as strukturave të veta dhe minimalisht, as partnerëve”.

Si e tillë, vlerëson ai, kjo kastë politike nuk mund të arrijë që të ketë dialog me kundërshtarët politikë dhe as me faktorin ndërkombëtar.

Zgjedhjet “nuk garantojnë stabilitet”

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, Kuvendi i Kosovës nuk ia arriti të zgjedhë presidentin e vendit dhe praktikisht vendi po hyn në një cikël tjetër zgjedhor. Si i keni parë ju këto zhvillime të fundit?

Naim Rashiti: Para disa vitesh, disa miq ndërkombëtar na thoshin se do të futeni në krizën apo ‘modelin bullgar’ të përsëritjes së zgjedhjeve dhe ne nuk iu besonim. Por, ja ku jemi. Do të thotë, jemi në një situatë të re të krizës, e cila – përtej zgjedhjeve që domosdo do të mbahen – nuk na garanton stabilitet edhe pas zgjedhjeve.

Jemi në një situatë ku mendoj se jemi në krizë dhe do të jemi në krizë afatgjate me qasjen e kësaj kaste politike të papërgjegjshme.

Zhvillimet e djeshme [të së mërkurës] tregojnë disa defekte fundamentale të sistemit politik të Kosovës. Kemi një Kushtetutë shumë moderne – të ndërtuar falë [Martti] Ahtisaarit dhe mbështetjes ndërkombëtare – me siguresa të garantuara të ruajtjes së balancës së pushtetit dhe ndarjes së pushtetit, e cila nuk po i shkon për shtati skenës politike.

Janë dy defekte të mëdha. E para: partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk e pëlqen këtë sistem kushtetues të Kosovës të ndarjes së pushteteve, sistemin proporcional zgjedhor dhe përfaqësimin proporcional. Në çdo mënyrë kërkon ta revidojë.

E dyta: kemi problem me partitë opozitare, të cilat duke qenë gjatë në pushtet, e perceptojnë ndarjen e pushteteve ose marrjen e roleve kushtetuese përmes marrëveshjeve politike dhe ndarjes së pushteteve.

Ky rast nuk ishte për asnjërën. Së pari, rasti i zgjedhjes së presidentit ishte që Lëvizja Vetëvendosje do të duhej të bënte një kompromis për një figurë mbi palët ose së paku jo nga radhët e veta dhe propozimet e veta. LVV-ja nuk pranoi. Së dyti, partitë opozitare do të duhej të ofronin emra të besueshëm, me qëllim të ruajtjes së rendit kushtetues të Kosovës për zgjedhjen e presidentit.

Asnjëra nuk i bëri këto lëvizje. Manovruan, manipuluan procesin. Natyrisht që përgjegjësia kryesore bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje. Por, kjo krizë e thellë e identitetit politik të Kosovës në raport me fundamentin e shtetësisë dhe rendit kushtetues të Kosovës, besoj do të sjellë shumë dëme dhe shumë paqartësi për të ardhmen e vendit.

Radio Evropa e Lirë: Praktikat e deritashme kanë treguar se në kriza apo situata të ngjashme, ka pasur një lloj këshilldhënie nga partnerët ndërkombëtarë. Kësaj radhe nuk pamë diçka të tillë…

Naim Rashiti: Jo. Këshilldhënia është zvogëluar që nga viti 2014 e këndej. Faktori ndërkombëtar ka pasur ndikim marramendës në Kosovë deri në vitin 2013 apo 2014, përfshirë edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, e cila ka përfunduar. Gradualisht, për shkak edhe të ndryshimeve të mëdha globale, është shkëputur tërësisht. Ka edhe një lodhje marramendëse ndërkombëtare me Kosovën dhe është një distancim, është një lënie anash. Kjo mund të jetë një prej arsyeve.

Por, ka edhe ndryshim të aktorëve politikë – sidomos Lëvizja Vetëvendosje, por edhe subjektet tjera – të cilët nuk janë më ato si të tilla që kanë koordinuar për së afërmi politikën, qoftë edhe politikën e brendshme të Kosovës me faktorët ndërkombëtarë.

Ka edhe ndërkombëtarë të tillë që mendojnë se herët është përfunduar mbikëqyrja ndërkombëtare. Ka edhe të tillë që mendojnë se Kosova, përtej krizave, duhet të lihet të maturohet gradualisht dhe duhet të kalojë nëpër të gjitha këto kriza. Ka disa miq ndërkombëtarë që kanë durim ta lënë Kosovën të kalojë nëpër këto kriza, nëpër këto ujëra, por për të cilat ne kemi shumë shqetësime se do të zgjasin shumë gjatë.

“Dëmtimi i institucioneve” nga cikli i krizave

Radio Evropa e Lirë: Kjo paqëndrueshmëri politike dhe institucionale, si ndikon në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës?

Naim Rashiti: Thelbi i paqëndrueshmërisë nuk është vetëm situata aktuale. Është dërrmimi, degradimi i shtetësisë që po bëhet, degradimi i rendit kushtetues, degradimi i institucioneve dhe stabilitetit të tyre, degradimi i politikave. Ka rrezik – ka shumë shembuj ndërkombëtarë – që pas një cikli të gjatë të krizave, sistemi bëhet i paqëndrueshëm vetvetiu. Sistemi, nëse jo në tërësi, në disa segmente bëhet i pariparueshëm, bëhet vështirë funksional.

Republika e Kosovës ka qenë në ndërtim e sipër që nga viti 2008 dhe është bërë një përparim, ndonëse me shumë defekte, por është bërë. Esenca e këtyre krizave të njëpasnjëshme është se ai progres është dëmtuar, është rrënuar, institucionet janë shumë më fragjile se që kanë qenë. Aktorët politikë individualë janë shumë të fuqishëm në aspektin e mbështetjes popullore, pra të votës, por janë shumë të dobët në funksionimin e institucioneve. Kanë shumë pak instrumente politike, kanë shumë pak njerëz, kanë shumë pak politika dhe shumë pak instrumente ndërinstitucionale për mbarëvajtjen e institucioneve.

Me qëllim ose jo, këto janë dëmtuar. Por, vet cikli i krizave po i dëmton edhe më shumë. Ky është rreziku për Republikën. Pra, rreziku është që të kthehemi prapa, në një periudhë kur politika ndërkombëtare po ndërron shumë dhe pritjet ndërkombëtar, sidomos të Evropës ndaj Kosovës, janë tërësisht ndryshe.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë janë ato pritje?

Naim Rashiti: Pritjet janë që Kosova është dashur t’i bëjë të gjitha detyrat e veta, që të luftojë për statusin e kandidatit për integrim në Bashkimin Evropian, që të sigurojë anëtarësimin në Këshill të Evropës, të marrë më shumë njohje, të ketë më shumë zhvillim. Prej sivjet, të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë do të na vendosin në zero ose nën 1 për qind të rritjes ekonomike. Do të na shpallet zyrtarisht që jemi në një situatë të krizës ekonomike, që nga ky vit. Kjo nuk ka ardhur sivjet, por ndër vite, edhe për shkak të ndikimeve të jashtme ekonomike.

Është dashur që zhvillimi ekonomik të përparojë, që investimet publike të rriten, që reformat të përparojnë, të hyrat dhe planifikimet financiare nga Plani i Rritjes [i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor] të thithen. Kosova nuk do ta bëjë asnjërën nga këto. Kosova do të bëhet njollë edhe më e madhe e krizës politike dhe institucionale.

Pra, Kosova nuk trajtohet vetëm si krizë politike, por trajtohet si krizë politike dhe institucionale sistematike. Kjo situatë të bën joadekuat për të qenë bashkëbisedues me faktorin ndërkombëtar dhe me agjendat ndërkombëtare, qoftë për anëtarësim [në BE], qoftë për proceset e agjendave rajonale, të cilat veçse po ndodhin me Malin e Zi, Shqipërinë dhe të tjera.

Kosova “ka humbur besueshmërinë” te partnerët ndërkombëtarë

Radio Evropa e Lirë: A nënkupton kjo që Kosova po e humbë besueshmërinë te partnerët ndërkombëtarë?

Naim Rashiti: Ka vite që e ka humbur besueshmërinë. Kosova është bërë një plagë e vogël, por pa ndikim përtej, e cila trajtohet si një ‘paciente’ e lënduar, e papjekur, e sëmurë dhe që duhet pritur të shërohet, por për të cilën nuk vjen terapia nga jashtë.

Radio Evropa e Lirë: A është kriza aktuale institucionale një lloj “vule” e kësaj që e thoni?

Naim Rashiti: Absolutisht po. Më e keqja është që nëse i pyet ndërkombëtarët, të gjithë presin që zgjedhjet nuk do të sjellin asgjë të re. Do të jetë vetëm një përpjekje dhe një krizë të re.

Paramendojeni një sistem politik, me rregulla të qarta kushtetuese dhe ligjore, që nuk arrin të zgjedhë një prej mijëra e mijëra njerëzve, si kandidat të mundshëm për president të vendit, sipas normave kushtetuese. Paramendojeni, që kaq kemi.

Kemi një kastë politike që nuk i beson as vetvetes, as aktorëve rreth saj, as strukturave të veta dhe minimalisht, as partnerëve. Me kundërshtarët nuk mund të arrijë që të ketë dialog dhe nuk arrin të ketë dialog as me faktorin ndërkombëtar.

Tri etnitete, të cilat kanë luftuar me njëra-tjetrën në Bosnjë e Hercegovinë, pas çdo cikli zgjedhor arrijnë të formojnë Qeverinë e vet, pa asnjë vonesë sepse formula është e qartë, përfaqësimi është i qartë dhe ndarja e pozitave është e qartë.

Tryeza politike e rrumbullakët në Maqedoninë e Veriut, që nga viti 2001, me të gjitha vështirësitë që ka, funksionon dhe i zgjidhë të gjitha problemet mes partive shqiptare e maqedonase.

Shqipëria, në situatat dhe krizat më të rënda, ka arritur ta zgjedhë një president konsensual, me përkrahje të opozitës.

Ndërkaq, Kosova me një sistem shumë të qartë dhe të pastër elektoral proporcional, nuk arrin të gjejë balancat e veta dhe të ndërtojë dialog për të bërë marrëveshje.

Është një Kushtetutë evropiane [e Kosovës], të cilën Perëndimi po e sheh se politika kosovare nuk e pëlqen. Frika është se të gjitha qendrat ndërkombëtare, krizën e fundit në Kosovë e shohin vetëm si një nga krizat që do të përsëritet prapë.

Kosova “si shtet fragjil” në sytë e ndërkombëtarëve

Radio Evropa e Lirë: Ju tashmë e përmendët pak a shumë, por a do ta dëmtojë kjo krizë procesin e integrimeve evropiane të Kosovës?

Naim Rashiti: Po, në çdo aspekt. Pas zgjedhjeve të kaluara, kur rezultati zgjedhor qartësisht prodhoi një qëndrueshmëri institucionale, i gjithë faktori ndërkombëtar u vërsul drejt kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, për të caktuar takime, për të diskutuar agjendat dhe kështu me radhë.

Prej së martës, gjithçka do të ndërrojë. Prapë qasja ndërkombëtare do të jetë ‘nuk ka Qeveri”, sepse kemi Qeveri në detyrë. Pra, kemi një Qeveri në detyrë me shumë të meta nga marrëdhëniet e kaluara që prodhoi po ashtu një Qeveri në detyrë, për shkak të shkeljeve kushtetuese, shkeljeve ligjore dhe me radhë.

Do të kemi ndryshim të tërësishëm qasjesh ndërkombëtare në raport me Kosovën. Prapë do të trajtohet – në rastin eklatant – si një shtet, i cili është fragjil, i paqëndrueshëm, me institucione të paqëndrueshme, si një model, sipas të cilit në 30 vjetët e fundit është trajtuar Libani nga faktori ndërkombëtar. Dhe, ky është dëmi për Kosovën. Kosova nuk ka bashkëbisedues stabil për faktorin ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: Lidhur me krizën që tashmë i ka hapur derën zgjedhjeve të parakohshme, ministri tashmë në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ajo ka shkaktuar “dëm katastrofal” në planin ndërkombëtar dhe se Kosova nga ndërkombëtarët konceptohet “si shtet që ka probleme serioze në kuptimin e ndërtimit të institucioneve”…

Naim Rashiti: Problemi këtu është që krizat politike e shfaqin paqëndrueshmërinë e tërë sistemit, si dhe paqëndrueshmërinë edhe të zgjedhurit kryeministër.

Ministri i Jashtëm ose ministrat e Jashtëm, më së miri e vërejnë këtë relacion dhe e shohin se sa të paqëndrueshme janë diskutimet me faktorët ndërkombëtarë, kur ti je pjesë e krizave të vazhdueshme ose kur ti je prodhim i krizës apo zgjidhje ad hoc, siç ka qenë edhe ministri i Jashtëm, tani në detyrë. E vëren që nuk je bashkëbisedues për ndonjë agjendë tjetër, përveç asaj javore ose ditore. Ky është dëmi më i madfh, sepse Kosova nuk ka nevojë për agjenda ditore. Vetë fakti që flet për agjenda afatshkurta do të thotë se je në krizë, në marrëdhënie krize dhe me krizë serioze, sidomos në relacion me BE-në, me QUINT-in, me shtetet të cilat të kanë njohur.

Mbase nuk është e ditur, por kemi vende mike të Kosovës që janë bërë grup për ta mbështetur Kosovën përsëri për Këshill të Evropës. Ndërkaq, këndej, ti nuk arrin ta zgjedhësh një president të besueshëm, për ta avancuar agjendën e shtetndërtimit. Në këtë situatë, në parametrat ndërkombëtarë të politikës ndërkombëtare, ti nuk je aspak bashkëbisedues i besueshëm për asnjë agjendë.

Ky është fakt i pamohueshëm, ky është realiteti, të cilin qytetari nuk e ndien përditë, por ai që merret me politikën, ai që ulet në Ministri të Jashtme apo në çdo institucion, e ndien çdo ditë. Çdo diskutim që mund të ndodhë [me faktorin ndërkombëtar], është pothuajse joformal.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është se është shënuar ndonjë zhvillim i madh, së paku në këto dy-tre vjetët e fundit. Megjithatë, ripërsëritja e zgjedhjeve, a e dobëson këtë proces edhe më shumë apo mund të mos ndikojë fare?

Naim Rashiti: Dialogu Kosovë-Serbi ka ndryshuar formë viteve të fundit, sidomos pas marrëveshjes së Brukselit në vitin 2023. Ka dy orientime, dy paralele. Paralelja e parë është që do të ketë përpjekje të nivelit trepalësh [BE, Kosovë, Serbi] ose dypalësh – Kosovë dhe Serbi – për negociata që të përmbyllet zbatimi [i marrëveshjes]. Por, segmenti kryesor i dialogut, që nuk është i dukshëm, është dialogu bilateral BE-Kosovë dhe BE-Serbi.

BE-ja në dokumentet e saj ka përcaktuar qartë obligimet për secilën palë. Tash, BE-ja më shumë është e fokusuar që të sigurojë zbatimin e marrëveshjes nga dialogu, si pjesë e marrëdhënies ndërmjet BE-së dhe Kosovës sesa si pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

Pra, kemi një sërë kriteresh shumë specifike nga BE-ja për Kosovën, për të zbatuar dialogun. Fakti që nuk ka takime me Serbinë, nuk do të thotë që nuk ka dialog, sepse dihet saktë për secilën palë se çfarë duhet të zbatojë. Krejt çka pritet, është që Kosova, në pjesën më të madhe të dialogut, të bëjë punën e vet dhe t’i zbatojë ato që janë në përgjegjësinë e saj, në komunikim me BE-në, sikurse që ndodhi edhe me dokumentet dhe me Ligjin për të huajt.

Natyrisht, është një segment i madh i normalizimit të plotë, që do të jetë pjesë e dialogut me Serbinë. Por, ato takime nuk varen vetëm nga Kosova. Varen edhe nga Serbia sepse edhe ajo është në krizë, por për këtë pjesë Kosova nuk fajësohet dhe nuk i kërkohet llogari.

Kosovës do t’i kërkohet llogari të bëjë pjesën e saj, të merret me nenet, me çështjet, me definimet që janë përcaktuar në Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, që janë obligime të Kosovës ndaj dialogut dhe të cilat janë artikuluar si obligime të Kosovës ndaj BE-së, ndaj procesit të integrimit. Këtu mund të bëhet shumë punë dhe Kosova mund të përfitojë shumë nëse merret me zbatimit të tyre, si proces i bashkërenduar me faktorin ndërkombëtar, sepse fundja, kështu kanë ndodhur të gjitha proceset.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta bëjë këtë Kosova duke pasur kriza të njëpasnjëshme politike dhe institucionale?

Naim Rashiti: Absolutisht jo, sepse tash nuk ka Kuvend, nuk ka Qeveri. Problemi është se kur themi ‘e dërmon sistemin institucional’, kjo nuk nënkupton vetëm për çështjen e dialogut, por se institucionet nuk po e bëjnë punën e vet për asnjë temë, në asnjë çështje.

Degradimi institucional po ndodh në të gjitha fushat dhe jo vetëm për çështjen e dialogut, kur kemi kriza të tilla. Institucionet tona funksionojnë me shumë vështirësi edhe kur kemi legjitimitet të plotë politik dhe institucional, kur kemi Qeveri shumë të fortë, e lëre më kur kemi Qeveri në detyrë, e cila është tërësisht e preokupuar me agjendë elektorale. Ka ndodhur edhe në të kaluarën, por sidomos në këto vitet e fundit.

Radio Evropa e Lirë: A mundet kjo krizë politike dhe institucionale, si dhe ky cikël i përsëritur i zgjedhjeve, të shfrytëzohet nga aktorët tjerë “dashakeq” ndaj Kosovës?

Naim Rashiti: Gjithmonë ka pasur hapësirë dhe ka hapësirë. Është vështirë të artikulohet se si mund të ndikojnë. Kriza politike dhe institucionale nuk do të sjellë rezultate të mira, por do të sjellë paparashikueshmëri. Se çfarë do të jetë, është vështirë të mendohet.

Fati i mirë është se Serbia është e preokupuar me skemat e veta dhe e tërë agjenda ndërkombëtare është e ngatërruar. Rajoni në tërësi është stabil. Duhet të kuptojmë, sidomos që procesi i negociatave të Malit të Zi dhe të Shqipërisë me BE-në ka rritur stabilitetin në rajon.

Nuk ka ndonjë parametër që na tregon se mund të ketë eksploatim të situatave të tilla [si kriza në Kosovë]. Por, ka pakënaqësi marramendëse qytetare. Ka rënie në fushën e rendit dhe ligjit, ka varfëri, ka rënie të ekonomisë, të cilat janë parametra që gjenerojnë situata të caktuara, por jo menjëherë. Do të vijë situata në vitet e ardhshme, kur do t’i paguajmë çmimet e këtyre krizave politike. Se si do të manifestohen apo transmetohen ato, si protesta, manipulime apo ndryshe, nuk dihet.

Por, e gjithë ajo që mund të vijë nuk do të jetë vetëm si shkak i krizës politike. Është edhe narracioni politik, të cilin liderët dhe subjektet politike e bartin bashkë me frymën e kësaj krize politike dhe institucionale. Ky është dëmi më i madh. Asnjë prej subjekteve politike, asnjë nga lidershipi i partisë në pushtet, nuk flasin për stabilitet, vizion, qëndrueshmëri, bashkërendim, kohezion shoqëror, kohezion institucional e kështu me radhë.

Radio Evropa e Lirë: A prisni se ky narracion do të ndryshojë dhe a duhet të ndryshojë?

Naim Rashiti: Jo nuk pres. Natyrisht që do të duhej të ndryshonte, por askush nga faktori ndërkombëtar nuk beson që do të ndryshojë dhe as unë nuk besoj. Për këtë arsye, Kosova është në një situatë ku KFOR/NATO duhet të kujdesen më shumë. KFOR/NATO nuk shohin se ka një bashkëbisedues stabil në Kosovë. Po ashtu as BE-ja. E dimë që të gjitha vizitat e zyrtarëve të lartë evropianë janë shtyrë për shkak të krizës.

Më e keqja është – nga pikëpamja e përgjithshme e analizës, por edhe nga pritjet ndërkombëtare – se kjo do të vazhdojë.

Gazetari i REL-it rrëfen momentet dramatike pas të shtënave në darkën e korrespondentëve në Uashington

Pjesëmarrësit në darkën e korrespondentëve tentojnë të fshihen pas të shtënave që shkaktuan panik në hotelin e Uashingtonit, ku po merrte pjesë edhe presidenti Donald Trump, 25 prill.

Amra Zejneli Loxha

Gazetari i Radios Evropa e Lirë në Uashington, Alex Raufoglu, ndodhej brenda sallës ku po mbahej darka e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, kur natën e 25 prillit u dëgjuan të shtëna pranë vendit të ngjarjes.

Incidenti shkaktoi panik mes të pranishmëve dhe çoi në evakuimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Një agjent u qëllua nga afër, por siç tha Trump, jeleku antiplumb ia shpëtoi jetën. I dyshuari u arrestua dhe është identifikuar si Cole Tomas Allen, 31 vjeç nga Torrance, Kaliforni.

Në këtë intervistë, Raufoglu rrëfen çfarë pa në sallë dhe si u përjetuan minutat e para pas të shtënave.

Radio Evropa e Lirë: Ku ndodheshit saktësisht kur u dëgjuan të shtënat? Çfarë patë fillimisht? A e patë sulmuesin apo ndonjë gjë që mund të ndihmojë për të përshkruar atë që ndodhi?

Alex Raufoglu: Isha ulur mjaft afër njërës prej hyrjeve kryesore të sallës së madhe. Tavolina ime ishte me numër 219 dhe ndodhej përgjatë korridorit qendror që të çonte drejt skenës.

Salla ishte e organizuar në atë mënyrë që çdo tavolinë kishte pamje të qartë si nga skena, ashtu edhe nga hyrjet. Prandaj, ishim shumë të vetëdijshëm për çdo lëvizje në atë zonë.

Ne nuk e pamë sulmuesin, por dyert kryesore ishin të hapura. Kur nisën të shtënat jashtë, zhurma ishte jashtëzakonisht e fortë.

Në fillim, për një çast, disa prej nesh menduam se ndoshta diçka kishte rënë jashtë, sepse kamerierët po hynin dhe po dilnin vazhdimisht. Darka ishte duke u shërbyer në atë moment.

Por, hutimi u zhduk pothuajse menjëherë, kur krisma e parë e fortë u pasua nga disa të tjera, njëra pas tjetrës. Do të thosha se u dëgjuan pesë ose gjashtë të shtëna brenda pak sekondash. Atëherë u bë e qartë se diçka serioze po ndodhte jashtë.

Radio Evropa e Lirë: Si e kuptuan njerëzit brenda sallës se bëhej fjalë për të shtëna me armë dhe jo për diçka tjetër?

Alex Raufoglu: U deshën disa sekonda. Përsëritja e krismave – të shpejta, të mprehta dhe njëra pas tjetrës – e bëri të qartë se nuk ishte aksident. Dyert ishin të hapura dhe zhurma depërtonte drejtpërdrejt në sallë.

Mund ta ndieje menjëherë ndryshimin e atmosferës. Pas një hutimi, njerëzit e kuptuan pothuajse menjëherë se çfarë po ndodhte. Disa u futën menjëherë nën tavolina. Të tjerë mbetën të ngrirë për pak çaste, duke u përpjekur ta kuptonin situatën.

Por, brenda pak momentesh, e gjithë salla e kuptoi se bëhej fjalë për të shtëna me armë.

Radio Evropa e Lirë: Cili ishte reagimi i parë i gazetarëve, zyrtarëve dhe të ftuarve?

Alex Raufoglu: Ishte një përzierje instinkti dhe profesionalizmi. Duhet kujtuar se ajo ishte një sallë plot me gazetarë. Pas momentit të parë të tronditjes, shumë njerëz i morën telefonat pothuajse automatikisht – për të dokumentuar, për të raportuar, për të kuptuar se çfarë po ndodhte.

Në të njëjtën kohë, brenda sallës kishte një ndjenjë të vërtetë urgjence. Njerëzit pyesnin njëri-tjetrin nëse ishin mirë, shikonin njëri-tjetrin në sy, qëndronin pranë. Ne kishim kaluar tashmë disa orë së bashku atë mbrëmje, në disa aktivitete paraprake dhe në tapetin e kuq, kështu që brenda sallës kishte njëfarë ndjenje familjariteti.

Shumë shpejt, reporterët kaluan në raportim, duke shkëmbyer informacione me njëri-tjetrin. Zakonisht në një ambient të tillë ekziston konkurrenca për ta nxjerrë lajmin i pari, por në atë moment saktësia dhe siguria ishin më të rëndësishme se shpejtësia.

Për më tepër, komunikimi ishte i kufizuar për shkak të internetit të dobët, ndaj në atë moment mbështeteshim shumë te njëri-tjetri.

Radio Evropa e Lirë: Sa shpejt e largoi shërbimi sekret presidentin Trump nga salla?

Alex Raufoglu: Gjithçka ndodhi jashtëzakonisht shpejt, brenda pak sekondash. Mund të shihej se shërbimi sekret ishte tashmë i pozicionuar në mënyrë strategjike në të gjithë sallën.

Nga vendi ku isha ulur, dukej se nënpresidenti u largua i pari, me gjasë sepse ishte më afër daljes në anën e tij.

Presidenti Trump ishte në skenë, duke biseduar, dhe pothuajse menjëherë agjentët e larguan nga aty. Zonja e parë dhe të tjerët pranë tij fillimisht shkëmbyen disa fjalë, e më pas edhe ata e ndoqën. Ishte një reagim shumë i koordinuar.

Radio Evropa e Lirë: A dhanë forcat e sigurisë udhëzime të qarta për të pranishmit?

Alex Raufoglu: Po, udhëzimet ishin të qarta: të qëndronim poshtë dhe në qetësi. Sigurimi donte ta vlerësonte situatën pa hutim shtesë.

Në një moment, dëgjova disa njerëz që filluan të brohorisnin “SHBA, SHBA”. Por, atyre iu tha shpejt të ndalonin, sepse zhurma mund të shkaktonte më shumë panik dhe të pengonte përpjekjet e sigurisë.

Pas pak sekondash, na u tha se i dyshuari ishte kapur, por megjithatë na u kërkua të qëndronim në vend dhe të prisnim udhëzime të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë patë pranë pikës së kontrollit të sigurisë, apo zonës kryesore të kontrollit, nëse patë diçka?

Alex Raufoglu: Salla e madhe ndodhet në nivelin e poshtëm të hotelit, në bodrum. Për të hyrë aty, duhej të kaloje përmes një pike shumë të kontrolluar sigurie. Pas kontrollit kishte shkallë lëvizëse që zbrisnin poshtë, dhe pastaj një tjetër shtresë kontrolli sigurie, menjëherë jashtë hyrjes.

Këtë vit, për shkak se presidenti ishte i pranishëm, siguria ishte më e rreptë se zakonisht. Ky ishte viti im i 12-të në këtë ngjarje dhe ishte e qartë se këtë herë ishin më të përgatitur.

Rrugët përreth ishin të mbyllura. Duhej të ecnim disa blloqe për të arritur te hyrja. Jashtë kishte edhe protestues, të cilët i pashë teksa po hyja. Ishte ditë me shi.

Qasja në hotel ishte jashtëzakonisht e kufizuar. Nuk mund t’i afroheshe as hyrjes kryesore pa treguar kredencialet te shërbimi sekret. Të gjithë duhej t’i mbanin biletat në dorë. Nga ajo që pashë, siguria ishte shumë e lartë.

Radio Evropa e Lirë: Sa zgjati paniku dhe bllokimi brenda vendit të ngjarjes?

Alex Raufoglu: Bllokimi zgjati afër një orë, ndoshta pak më pak. Në fillim kishte pasiguri se çfarë do të ndodhte më pas. Madje pati edhe disa diskutime se ngjarja mund të vazhdonte.

Në fund, na u tha se presidenti nuk do të kthehej dhe se do t’i drejtohej publikut nga Shtëpia e Bardhë.

Zona jashtë vazhdonte të ishte nën masa të rrepta sigurie. Nuk mund të largoheshim lirshëm. U desh kohë derisa njerëzit u lejuan të dilnin dhe të vendosnin se çfarë do të bënin më pas.

Radio Evropa e Lirë: A patë persona të lënduar apo ekipe emergjente duke trajtuar dikë?

Alex Raufoglu: Po, shkurtimisht. Kur disa prej nesh dolën drejt korridorit për të shkuar në tualet, pamë të paktën një person në tokë dhe ekipe emergjente duke komunikuar me personelin e sigurisë.

Por, shumë shpejt na udhëzuan të ktheheshim në sallë. Tualeti ishte afër derës kryesore, prandaj nuk patëm pamje të plotë të asaj që po ndodhte. Ishte një pamje e shkurtër, por e mjaftueshme për të kuptuar se kishte të lënduar që po trajtoheshin.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë po u thoshin zyrtarët të pranishmëve pasi i dyshuari u ndalua?

Alex Raufoglu: Zyrtarët u përpoqën të ndanin aq informacion sa mundeshin në ato rrethana, por komunikimi ishte i kufizuar, sepse shumë prej nesh nuk kishin qasje të qëndrueshme në internet brenda vendit të ngjarjes.

Është interesant se disa nga përditësimet e para që njerëzit i panë erdhën përmes mesazheve që qarkullonin nga telefoni në telefon. Mes tyre ishte edhe postimi i presidentit në Truth Social.

Kolegët po ndanin informacionin që arrinin ta siguronin. Krijohej përshtypja se zyrtarët po përpiqeshin të ishin sa më transparentë, por situata ende po zhvillohej.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë masash sigurie kishte para dhe gjatë ngjarjes?

Alex Raufoglu: Masat e sigurisë ishin dukshëm më të larta krahasuar me vitet e kaluara. Siç thashë, për shkak të pranisë së presidentit këtë vit, mbyllja e rrugëve ishte më e gjerë se zakonisht, ndoshta disa blloqe më shumë. Kishte gjithashtu disa shtresa kontrolli përpara se të arrije deri te salla.

Brenda, prania e Shërbimit Sekret ishte shumë e dukshme, me agjentë të pozicionuar në gjithë sallën.

Në njëfarë mënyre, intensiteti i masave të sigurisë dhe vetë incidenti krijuan një moment të papritur uniteti. Gazetarë, zyrtarë qeveritarë, staf dhe njerëz që jo gjithmonë ndajnë të njëjtat qëndrime u gjendën papritur në të njëjtën situatë, të përqendruar te siguria dhe duke u kujdesur për njëri-tjetrin.

Ishte një kujtesë e fortë për rreziqet që mund t’i shoqërojnë ngjarje të tilla dhe për shqetësimet më të gjera lidhur me sigurinë.

Intervista- Rachel Ehrenfeld: Pse shënjestrimi i “ekonomisë në hije” e godet Iranin aty ku i dhemb më së shumti

Forcat amerikane patrullojnë pranë anijes me mallra, me flamur iranian, M/V Touska, pasi ajo u sekuestrua nga forcat amerikane më 19 prill në Gjirin e Omanit.

Alex Raufoglu

Meqë armëpushimi në luftën mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit pritet të skadojë më 22 prill, veprimet e SHBA-së në det po e tërheqin sërish vëmendjen kah një çështje qendrore: sa thellë është e mishëruar struktura ushtarake e Iranit në ekonominë e vendit?

Çaktivizimi i anijes, M/V Touska, më 19 prill, për të cilën thuhet se lidhet me rrjetet tregtare iraniane, nxori në pah kontrollin që Garda Revolucionare Islamike (IRGC) ushtron mbi industri kyç: nga bankat dhe energjia, deri te transporti detar dhe telekomunikacioni.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), Rachel Ehrenfeld, drejtoreshë e Qendrës Amerikane për Demokraci dhe Institutit për Luftë Ekonomike, si dhe autore e disa librave mbi financimin e terrorizmit, tha se shtrirja ekonomike e IRGC-së nuk është rastësi, por themel thelbësor i fuqisë së saj.

Ajo argumentoi se goditja e infrastrukturës dhe veprimtarisë tregtare prekin drejtpërdrejt aftësitë ushtarake të regjimit.

Rachel Ehrenfeld.

Rachel Ehrenfeld.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni argumentuar prej kohësh se mbizotërimi i IRGC-së në ekonominë e Iranit është thelbësor për fuqinë ushtarake që ka. Sa i rëndësishëm është sekuestrimi i Touska-s nga SHBA-ja në këtë kontekst?

Rachel Ehrenfeld: Varet se kush e zotëron anijen, cilit fondacion i përket. IRGC-ja e ka fondacionin më të madh në Iran. Kur Ajatollah [Ruhollah] Khomeini e nisi në vitin 1979 Revolucionin Islamik dhe e mori kontrollin e Iranit, ai mendoi se si ekonomia të lulëzonte dhe se si t’iu mbijetonte sanksioneve të jashtme, për shembull.

Pra, çfarë të bëni? Krijoni fondacione. Elementeve të ndryshme të forcave revolucionare në Iran iu ndanë pjesë të ndryshme të ekonomisë. Si organizata bamirëse që mbikëqyrin bamirësinë, atyre iu vunë emra të ndryshëm, dhe më i madhi është IRGC-ja.

Ai vendosi që ky do të ishte sistemi…. [Dhe ish-udhëheqësi suprem ajatollah Ali Khamenei] në vitin 2004 nxori atë që në thelb ishte një fetva ose direktivë përmes organeve legjislative iraniane, dhe ajo u përfshi në ligj. Kjo është struktura që i lejoi IRGC-së të zhvillojë ekonominë në hije të Iranit. Ajo është pjesë e ekonomisë, por nuk jep llogari. Ata nuk paguajnë taksa. Në Iran, të gjithë duhet të paguajnë taksa.

Kjo u ndihmon atyre t’i shmangin sanksionet ndërkombëtare, sepse është një organizatë bamirëse që dërgon para aty-këtu.

Ata i përdorin të gjitha llojet e institucioneve financiare dhe sistemeve bankare në mbarë botën.

Brenda fondacionit të madh ka nënndarje, dhe edhe ato pjesë janë të përfshira. Kështu që tani ata kontrollojnë bankat, pasuritë e paluajtshme, telekomunikacionin, transportin, minierat, energjinë, mbrojtjen, kimikatet, petrokimikatet. Çfarëdo që të përmendni, ata e zotërojnë.

Nuk e di nëse kjo anije i përket IRGC-së apo jo, por meqë sistemi i tyre është i tillë, të gjithë duhet ta dinë…. Më habit fakti që amerikanët, pra administrata, nuk e kanë shpjeguar vërtet si funksionon ekonomia atje.

Dhe, kjo është në dëm të tyre; po marrin shumë kritika sepse, “O, ju do ta shkatërroni infrastrukturën”. Por, ata e zotërojnë infrastrukturën, pjesën më të madhe të saj. Ka tregti private dhe njëfarë ekonomie civile, por ajo nuk është e madhe dhe mund të merret lehtësisht nga regjimi.

Në javët e fundit, me ndaljen e internetit nga regjimi, shumë njerëz që kishin biznese private dhe civile përdornin internetin për të bërë biznes. Interneti u ndal. Kostoja ishte miliarda. Njerëzit nuk mund të komunikojnë dhe nuk mund të bëjnë biznes.

Pra, shkatërrimi i pjesës më të madhe të infrastrukturës së madhe, përfshirë transportin detar, do të ishte pjesë e forcave, forcave të armatosura, për shembull, edhe nëse ato nuk supozohet të jenë anije tregtare të armatosura që i shërbejnë qëllimeve të regjimit iranian për luftë, jo për paqe.

Radio Evropa e Lirë : Ju e keni përshkruar IRGC-në si një “shtet brenda shtetit”. Duke pasur parasysh ndryshimet e fundit në udhëheqje, sa pjesë të ekonomisë së Iranit kontrollon sot IRGC-ja dhe a është e mundur të ndahet qeverisja civile nga fuqia ushtarake?

Rachel Ehrenfeld: Në një farë mënyre, po. Civile, çfarëdo që është civile, është nën kontrollin e IRGC-së. Nga të dhënat e fundit që kam mundur të nxjerr, ata kontrollojnë rreth dy të tretat e ekonomisë.

Kjo lidhet me atë që Khamenei, dhe para tij Khomeini, e quajtën “ekonomi qëndrese”. Ata donin të krijonin një ekonomi që i bën ballë armikut.

Njerëzit duhet ta dinë këtë në mënyrë që të mos kritikojnë më kur goditet infrastruktura, sepse këto të gjitha i shërbejnë IRGC-së, që është forca më e fuqishme në Iran.

Radio Evropa e Lirë: Raportet sugjerojnë se një “këshill ushtarak” ka anashkaluar administratën e Pezeshkianit. A tregon kjo se IRGC-ja ka konsoliduar kontrollin mbi shtetin iranian?

Rachel Ehrenfeld: Duket se po, sepse dëgjuam një ditë që ngushticat (Ngushtica e Hormuzit) ishin të hapura, dhe menjëherë më pas, disa orë më vonë, ishin mbyllur. Kjo tregon qartë se po zhvillohet një luftë për pushtet.

Por, nga sa kuptoj, IRGC-ja është vërtet grupi që drejton regjimin.

Radio Evropa e Lirë: Duke përdorur zjarr kundër një anijeje cisternë, a po sinjalizon Uashingtoni se tani e konsideron flotën tregtare të IRGC-së si shënjestër legjitime ushtarake?

Rachel Ehrenfeld: Sigurisht që po, sepse nuk dihet se çfarë transportojnë. Ajo që transportojnë mund të jenë armë, municione, ose diçka që plotëson nevojat e tyre.

Edhe nëse është diçka si hurma nga ndonjë shkretëtirë, paratë nga shitja do të shkojnë në xhepat e IRGC-së. Çdo gjë që lëviz tani atje, lëviz sepse IRGC e lejon.

Radio Evropa e Lirë: Thuhet se Touska transportonte mallra për përdorim të dyfishtë. Në kërkimet tuaja, sa shpesh IRGC-ja fsheh materiale me lidhje ushtarake brenda dërgesave civile?

Rachel Ehrenfeld: Ata janë të njohur për mallrat me përdorim të dyfishtë. Dhe, përsëri, edhe nëse është diçka që mund ta shesin, ose ta riparojnë dhe ta përdorin për diçka tjetër, gjithçka lidhet me vlerën, pra vlerën financiare.

Sa kushton? E shesin, fitojnë para, ose kursejnë para. Pra, çdo gjë që hyn dhe del i sjell përfitim atyre.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni argumentuar se goditja e infrastrukturës mund të jetë më efektive sesa përballja e drejtpërdrejtë ushtarake. A janë veprimet e tanishme të SHBA-së shembull i kësaj strategjie në praktikë?

Rachel Ehrenfeld: Nëse Shtetet e Bashkuara – dhe shpresojmë edhe vende të tjera, jo vetëm vendet perëndimore, por edhe fqinjët e Iranit – e zbatojnë bllokadën siç duhet dhe i përmbahen sanksioneve, ekonomia e Iranit do të shembet, së shpejti.

Radio Evropa e Lirë: Ka raportime për një “bllokadë selektive” pranë ishullit Larak. A e mbron përfshirja e thellë e IRGC-së në ekonomi nga një trysni e tillë apo e bën më të cenueshme?

Rachel Ehrenfeld: Ata gjithashtu po kërcënojnë transportin tregtar në vende të tjera, si pranë Bab al-Mandabit. Po përpiqen realisht të ndërpresin transportin detar ndërkombëtar.

Duhet të parandalohen. Ky lloj shantazhi nuk mund të lejohet.

Radio Evropa e Lirë: Meqë po afrohet afati i 22 prillit për armëpushimin, si e vlerësoni fundin e lojës ekonomike të regjimit? A ka shenja trysnie?

Rachel Ehrenfeld: Nuk e di. IRGC-ja e drejton atë, dhe ky është një regjim radikal, ideologjik. Qëllimi i tyre është të krijojnë sa më shumë kaos, të vrasin sa më shumë “jobesimtarë” dhe të vdesin për besimet e tyre që të vijë Imami i 12-të.

Kur beson në një ideologji të tillë, që shumica e njerëzve në botë nuk e kuptojnë, nuk e di çfarë do të mbizotërojë. Por, gjëja optimale që mund të ndodhë është ndryshimi i regjimit.

Radio Evropa e Lirë: Nëse armëpushimi skadon pa përparim, çfarë prisni se do të ndodhë?

Rachel Ehrenfeld: Mendoj se fuqia ushtarake duhet ta gjunjëzojë këtë regjim; të eliminojë sa më shumë udhëheqës të jetë e mundur ose ta detyrojë regjimin të zhduket.

Shpresoj që populli i Iranit të dalë në rrugë dhe ta detyrojë ndryshimin. Ka shumë njerëz të pakënaqur. Kemi parë protesta dhe e dimë që IRGC-ja dhe Basij kanë vrarë protestues.

Shumë njerëz nuk e duan këtë. Udhëheqja ka vjedhur miliarda, është pasuruar dhe ka dërguar familjet jashtë vendit ndërsa njerëzit e zakonshëm vuajnë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, a përfaqëson ky moment ndonjë ndryshim më të gjerë në mënyrën se si përdoret lufta ekonomike kundër aktorëve shtetërorë si Irani?

Rachel Ehrenfeld: Do të nxirren shumë mësime nga kjo luftë. Lufta ekonomike ka shumë faza dhe mund të ndihmojë shumë, sidomos pasi ekonomia e Iranit ishte tashmë në gjendje të keqe para luftës.

Nëse doni të fitoni, duhet të përdorni strategjitë më të mira: luftën ekonomike dhe atë kinetike së bashku. Shpresojmë jo për shumë kohë, sepse të dyja i dëmtojnë edhe njerëzit e pafajshëm.

Dhe, kjo është fatkeqësi. Por, ky regjim ka qenë në pushtet për dekada, dhe ata që përpiqen të ndalin zgjerimin e tij nuk mund të fajësohen thjesht për ndërhyrjen tani.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

“HISTORI TË PASHKRUARA” – INTERVISTË PËR REVISTËN “KUVENDI” ME ZOTIN MËRGIM KORҪA

 

Zoti Jaku: Është hera e parë që takohemi, zoti Korça. Nëpërmjet zotit Franz  – Llesh Grishaj më janë rekomanduar disa shkrime tuajat për t’u botuar në Kuvendi. Ato trajtojnë tema të ndryshme si edhe dallojnë për një trajtesë profesionale. Duket se e njihni veriun  (sidomos Shkodrën) si edhe At Gjergj Fishtën. Gjithashtu bie në sy se e njihni edhe historinë e popullit tonë si edhe personalitetet e saj.

Do të dëshiroja të dija: Ku jeni lindur dhe cila është origjina e Mërgim Korçës ? Gjithashtu diçka lidhur me emrin tuaj si një gjetje e veçantë dhe e rrallë.

Përgjigje: Si trashëgimi familjare unë jam korçar i lindur në qytetin Graz të  Austrisë  në vitin tashmë të largët 1932. Gjyshi im , nga ana e babait , ka qenë drejtor shkolle, ndërsa ai nga ana e nënës, mjek kirurg.

Im atë Xhevat Korça , që ishte themeluesi  dhe drejtori i parë i Gjimnazitt Shtetëror të Shkodrës, mbas dy vitesh shërbimi si drejtor, me ardhjen në fuqi të Ahmet Zogut dhe si kundërshtar politik i tij, u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe për tre vite me rradhë drejtoi katedrën e gjuhës shqipe pranë universitetit të Beogradit. Me që qëndrimi në Jugosllavi iu bë i pamundur se dy herë iu kërcënua jeta emigroi në Austri- Gjatë periudhës dhjetëvjeçare që familja ime banonte në Austri u linda un. Lidhur me emrin që mbaj besoj se është e qartë tashti pòërse im atë e përzgjodhi atë. Mendoj se ia vlen të theksoj se në Bashkinë e Grazit ekziston edhe sot e kësaj dite një dokumsnt i nënëshkruar nga im atë, ku ai  nuk pranonte që unë automatikisht të regjistrohesha si qytetar austriak. Pra emri i përzgjedhur nga im atë nuk  përfaqësonte vetëm një pohim, por një pohim me dhimbje për të.

Pyetje: Lidhjet me veriun dhe sidomos me personalitete si poetin kombëtar Gjergj Fishtën, Patër Anton Harapin etj.,si dhe Luftën e Malësisë së Madhe (të !911-ës) si edhe Kryengritjen e saj (të 1945-ës), si janë realizuar tek Mërgim Korça? Ndoshta gabohem, por historiografia shqiptare nuk e pranon termin  luftë për atë të 1911-ës dhe as kryengritje, për të 1945-ës. Për mua e para, padyshim që ka qenë luftë sepse  qe shumë e realizuar nga elementë luftarakë si edhe organizativë si edhe e zgjatur në kohë. Edhe ajo e dyta nuk ka si të pranohet se ka qenë vetëm një lëvizje antikomuniste, se ajo  qe një kryengritje e mirëfilltë. Nga ana tjetër ç’ju ka shtyrë që temat të cilat i trajtoni në shkrimet tuaja t’i përmbahen një diapazoni të gjërë historik dhe si ka ndodhur që flisni me shumë detaje bindëse dhe me njohje jo sipërfaqësore për personalitete të kohës që historia e shkruar e periudhës diktaturës i ka dënuar?

Përgjigje: Që në fëmijëri im atë më ka pasë mëkuar dashurinë për Atdhé, krenarinë kombëtare si edhe nhohjen e së kaluarës historike e gjithashtu edhe përpjekjet e rilindësve për gjuhën tonë të bukur shqipe. E si të mos më nguliteshin këto gjëra në kokë tek më jepte detyra shtëpie të mësoja përmëndësh vargjet e Lahutës, poezit’e Nolit, bukolikat tejet atdhedashëse të Naimi tek  nga ana tjetër dëgjoja pastaj nga goja e vetë Mid’hat Frashërit apo Mustafa Krujës se si flisnin për Kongresin e Manastirit si edhe përpjekjet e tyre lidhur me gjuhën e shkruar shqipe. I mbaj mënd konsideratat e Patër Antonit rreth Luftës së Malësisë së Madhe të 1911 si të m’i thoshte sot, Po gjithashtu e kam të qartë vrullin me të cilin fliste Qazim Koculi me krenari të madhe kombëtare rreth flakjes në det të forcave italiane më 1920-ën.

I kujtoj këto, e domosdo mbushem me emocione tek më drejtoni pyetje të cilat duan të qëmtojnë të vërteta historike që fatkeqësisht janë mohuar përgjatë periudhës së diktaturës e vazhdojnë të mohohen edhe sot, ku me keqdashje e paragjykim e ku nga padituria. Megjithatë, nuk mund të qëndroj pa pohuar se, pa arritur t’a ndajmë historinë nga politika, historia kurrë  nuk ka për të qenë histori. Pa shkuar e gërmuar thellë në histori, po cek ç’kanë thënë  dy personazhe shumë të përfolur:

Hitleri: Le t’a fitoj luftën , pa historinë pastaj jam unë që e shkruan.

                Nexhmije Hoxha, atyre që i shkonin për ngushëllim kur vdiq diktatori: Faleminderit, po sh. Enver na e la partinë të pastër.

                E unë shtroj pyetjen, histori do të ishte ajo që do të shkruante Hitleri po t’a fitonte luftën? Histori do t’a quanin, po ajo nuk do qe histori por do të ishte interpretim, sipas pozitave të Hitlerit, i historisë.

E njëjta gjë, fatkeqësisht, po ndodh në Shqipëri. N. Hoxha do që faktet historike të shikuara dhe të interpretuara simbas optikës komuniste të luftës së tmerrëshme të kllasave, të quhen Historia e Shqipërisë. Po kjo është çoroditje dhe vetëm çoroditje. Prandaj e ngre me aq forcë sa mundem që, derisa të mos heqim dorë nga të shikuarit e fakteve historike si edhe interpretimit të tyre nëpërmjet lenteve deformuese të bindjeve politike, cilido qoftë pozicionimi i tyre, nuk do të shkruhet historia e vërtetë e Shqipërisë. Në këtë kuadër pa tjetër  që ngjarjet historike nuk mund të quhen të tilla po nuk qe veprimi aktiv i ndërsjellë edhe i personazheve historikë i gërshetuar me to.

Vimë tashti tek personat që ju z. Jaku i zutë në gojë. Patër Gjergjit i u harrua me dhunë emri si dhe vepra duke e quajtur fashist, shovinist, e duke i vënë lloj lloj epitetesh të tjera. Mirëpo unë jam mëkuar me dashuri e respekt të madh ndaj tij nga im atë e prandaj përgjatë jetës sime jam munduar  t’a hetoj të vërtetën rreth tij. Pa u zgjatur të bëj apologjinë e tij sepse nuk është rasti, por është ai që ia ktheu qeverisë së Mussolimit dekoratën e lartë që i akordoi ajo si njeri i shquar, duke i thënë: Kjo dekoratë  nuk asht për mue! Nga ana tjetër ndër fjalët e fundit që Patër Gjergji I tha Arqipeshkvit Thaçi para  vdekjes  ishin  … nuk po më vjen keq se po  des, mbasi të gjithë atje do të shkojmë, por po më vjen e rândë se tânë jetën e kam shkrî për të pa nji Shqipni të lirë e në vedi, ndërsa sot po e lâ të shkelun prej ushtrive të hueja. (Patër Gjergj Fishta ndërroi jetë më 30 dhjetor 1940). A është e drejtë të akuzohet si fashist ky person?  Vetëm fashist ai nuk mund të quhet!)

Kurse akuzën si shovinist, është e qartë se kushdo e merr vesh që ishte akuzë konjukturale sepse atë shkja që Fishta sulmonte, s’ishte kush tjetër veçse  sërbi që e mikloi udhëheqjen tonë fillimisht, se pastaj tjetra….. është histori.

Prandaj i pezmatuar shtroj pyetjen: po vepra e tij atëherë pse dhunshëm u harrua? Ish i drejtë ai veprim?

Vijmë te Patër Anton Harapi, gjithmonë fluturimthi. Me që i akuzuar si kuisling, ai u pushkatua, dhe e gjithë veprimtaria e tij patriotike si edhe letrare u mohua. Mirëpo njerëzit duhen gjykuar nga veprat që bëjnë si edhe ato që lenë  mbrapa. Krimi i Patër Antonit për të cilin u pushkatua edhe si pasojë emri dhe vepra e tij u dënuan, ishte fakti se pranoi të bëhej anëtar i Këshillit të Regjencës. Mirëpo fjalimi që mbajti me atë rast, sikur të lexohet sot nga Presidenti i Shqipërisë, pa i luajtur asnjë presje, do të vlerësohej tejet patriotik, madhështor. Ja ndonjë kalim sa për dëshmi për t’ia rikujtuar lexuesit:

“E pranova detyrën se nuk mujshem m’e pamun  Shqypninë të pushtueme prej anarkijet ,,,, nuk dojshem të krijohej nji Babiloní shqiptare me luftë vllavrasëse që të zhgatrrote katundet, të humbej bagtija e të zhgatrroheshin familjet … ndjeva mëshirë si për populle gjithshtu edhe për Shqypni ….si mund të preferojshem m’e pshtue jetën t’ême e të ruejshem prestigjin personal në vênd që t’a rrezikojshem jetën t’ême për çashtjen e përbashkët? Le të ndollë  ajo që ka me ndollë, thashë me vedi, rrnoftë populli edhe pa mue, rrnoftë Shqypnia!,,,,, e fillueme me nji poezi e po e përfundojmë me nji tragjedi me iu dhimbtë kujtdo … e vetmja gjâ m’u bâmun âsht m’e pshtuemun Shqypninë edhe popullin. Mjafton të paralizojmë fajtorët të mos bâjnë mâ dame ,,, Nuk duhet të ekzistojnë filogjerman, anglofila apo italianofila. Duhet të  jena veç shqyptarë ….”

                Ose si akuzë Patër Antonit i është paraqitur kudo e kurdoherë një fotografi me gjeneralin Fitstum. Por kurrë nuk është thënë teksti i fotografisë ku Patër Antoni i kujtoi gjeneralit Fitstum se …. marrëveshja me Rajchun ishte  që trupat gjermane do t’a kishin territorin shqiptar  vetëm si urë kalimi për në Greqi, pa cënuar në çështjet e brëndëshme shqiptare!

                Duke u ballafaquar me këto  të vërteta historike edhe të dokumentuara nga materialet arkivore, është e natyrëshme që çdo shqiptar i ndershëm do të vijë në përfundimin  se, mohimi i tyre sipas një antilogjike diktatoriale, e ka cunguar historinë e kombit tonë nga një pjesë shumë e vyer e saj, me të cilën çdo shqiptar duhet të krenohet.

E lemë të qetë Patër Antonin dhe rikujtojmë dënimin moral që iu bë nga diktatura Mit’hat Frashërit si edhe veprës së tij. Emri i tij, për gati gjysmë shekulli sa zgjati diktatura komuniste, u lidh vetëm me cilësorët kolaboracionist, tradhëtar, kriminel, etj. Ndërsa vepra si edhe bëmat e tija, në të mirë të Shqipërisë,u mohuan. Pa hyrë në konsiderata personale lidhur me figurën e këtij atdhetari të shquar, (për personalitetin e të cilit si edhe veprën e tij ka një publiçistikë tejet të gjërë e të pasur), po riprodhoj të përkthyera disa kalime nga një shkrim karakteri editorial botuar me rastin e vdekjes së tij nga gazeta italiane “La voce Repubblicana” më 11 dhjetor 1949. Titulli i shkrimit ishte:

Mid’hat Frashëri

Një mazzinian[1]i madh i Shqipërisë së lirë

                …. Mid’hat Frashëri në Selanik themeloi dhe drejtoi gazetën e kryengritjes shqiptare “Lirija”. Mori pjesë si dhe e drejtoi Kongresin e Manastirit (1908) për alfabetin përfundimtar të Gjuhës Shqipe. Drejtoi dhe botoi që nga 1906-ta”Kalendarin Kombëtar” si edhe revistën e famëshme “Dituria”. Më 1912-ën qe anëtar i së parës Qeveri shqiptare të drejtuar nga Ismail Qemal Vlora. Në vijim mori pjesë në Qeverinë shqiptare edhe më 1913 – 1914. Më 1920 – ën bëri pjesë në Delegacionin Shqiptar të Konferencës së Parisit ku mbrojti tezën kundra gjymtimeve eventuale tokësore të Shqipërisë së Jugut. Deri më 1925-ën ishte ministër i Shqipërisë në Greqi, dhe që nga ai vit tërhiqet e mblidhet në një librari në Tiranë e cila shpejt u bë epiqëndra e idesë kombëtare.

                …… Në qershorin e vitit 1939 themeloi dhe drejtoi organizatën nacional demokratike “Balli Kombëtar” e cila me botime të fshehta si edhe me rebelim, e përkreu ndërgjegjen popullore në drejtim të pavarësisë edhe lirisë.

                Mbas një lufte të gjatë me komunistët (1943 – 1944) u detyrua që me bashkëpunëtorët e tij t’a lerë Shqipërinë dhe të mërgohet në Itali. Jetoi varfërisht dhe u përpoq e punoi për Atdhenë e tij të shtypur duke kërkuar t’ia mënjanonte rreziqet që kërcënoheshin mbi atë komb heroik si pasojë e politikës së çmëndur terroriste të komunistëve.

                Nëpërmjet botimesh të ndryshme si “Letra nga Shqipëria”, gazeta “Shqipëria”, revista “Flamuri”, i bëri të njohur botës gjëndjen tragjike të vëndit të tij.

                …. Mbas përpjekjesh të ndryshme si edhe udhëtimesh, arrijti t’a sendëronte bashkimin kombëtar dhe më 26 gusht 1949 proklamoi në Paris Komitetin Kombëtar  “Shqipëria e Lirë”, i cili mori përsipër barrën e t’a çlirone këkë vënd nga zgjedha komuniste. Ndërsa po ngrinte selinë e këtij Komitetinë Neë York, vdekja e menjëhershme ia rrëmbeu Kombit shqiptar më të madhin e bijve të tij.

                Ai ishte nhë letrar i madh si edhe një diplomat i aftë. Të gjithë fjalimet si edhe shkrimet e tij të panumurtë qëndërzohen rreth të drejtave si dhe detyrave të shqiptarëve të cilët duhet t’a meritojnë, simbas testamentit të tij, të quhen “Shërbëtorët e Shqipërisë”.

                Të gjithë republikanët baskohen me mallëngjim me vëlòlezërit shqiptarë në këtë vaj të tyre.”

                Radhit shkruesi italian bëmat e Mid’hat Frashëritnë të mirë të Shqipërisë, e quan letrar të madh si dhe diplomat të aftë, dhe sipas tij e quan edhe më i madhi  i bijve të kombit shqiptar. Është e qartë se kjo është thjeshtë pikëpamja e të ngarkuarit të Partisë Republikane italiane lidhur me Mid’hat Frashërin. Dakord. Marr leje të shtroj një pyetje, një të vetme: Pçër faktin se Mid’hat Frashëri qe antikomunist, a është e drejtë që edhe në tekstet e historisë figura e tij vetëm të përdhoset e mos t’i njihen asnjëra nga bëmat e tij për të mirën e Shqipërisë?

                Vazhdojmë me Mustafa Merlikën. E akuzojnë edhe këtë si kuizling se pranoi të formonte dhe të drejtonte një qeveri shqiptare në kuadrin e pushtimit italian të  Shqipërisë. Dakord. Nuk po ia hyj dskutimit lidhur me shtysën e brëndëshme që pati ai t’a pranonte postin si edhe pikëpamjen e tij lidhur me marrëdhëniet që ai donte të ndërtonte simbas tij, për të mirën e Shqipërisë, me Italinë  pushtuese. As po përqëndrohem në faktin se Mustafa Merlika qe ai që brënda javës dërgoi një aparat të tërë nëpunësish  të ministrisë Brëndëshme në Kosovëtë cilët pajisën qindra izraelitë me pashaporta shqiptare, si të besimit mysliman, dhe i trasportoi me autobusat e shoqërisë SATA në Shqipëri, as nuk po shtyhem thellë në kohë e të trajtoj qëndrimin e tij si bashkënënëshkrues i Dokumentit të Shpalljes së Mëvehtësisë në Vlorë. Nuk po i traltoj këto fakte në favor të tij. Por ama nuk mundemse si të mos u rikujtoj historianëve tanë, e krahas tyre edhe gjuhëtarëve gjithashtu, se nuk i nderon fakti që një gjuhëtari  të shquari si Mustafa Merlika, me që është  cilësuar kuizling, t’i shuhet emri si shkencëtar e të dënohet me harresë edhe vepra e tij shkencore!Kujt i shërben ky qëndrim? As Mussolimi  nuk e bëri gafën e t’i mohonte Pietro Maskanjin si kompozitor, ose Benedeto Crocen si filozof, me që ishin antifashistë. Shtati i tyre i kalonte kufijtë e sherreve politike dhe nderi i Italisëe kërkonte të njiheshin si bij të  saj. Kurse diktatura shqiptare zbatonte  parimin… më mirë pa gjuhëtarë se sa t’a vlerësojmë Mustafa Merlikën! Logjikë është kjo?

Të gjithë diktatorët mundoken t’a minimizojnë të kaluarën  e kombit të cilit i përkasin    e mëtojnë  si e qysh t’a paraqesin vëndin e tyre se si vetëm me ta e filloi rrugën drejt përparimit. Kjo jo vetëm që nuk i nderon diktaturat, por hedh edhe baltë mbi vetë kombin.

Instituti i Studimeve Shqiptare u krijua më 1941 dhe kryetar i parë i tij u zgjodh Mustafa Merlika, gjuhëtar dhe hulumtues i shquar i shqipes. Simbas historisë së Shqipërisë heshtet për Institutin e aq më shumë për kryetarin e domosdo, si pasojë, as që zihet në gojë kontributi i tij në fushë të gjuhësisë. Mirëpo ç’ti bëjmë albanologut të shquar prof. Gaetano Petrottës që, ndërsa  shqiptarët e harrojnë, ai e citon me shumë respekt Mustafa Merlikën për kontributin e tij të shquar në fushë të shqipes me fjalorin etimologjik prej 30.000 fjalësh që hartoi! E për kë nuk e njeh prof.Petrottën, le t’i kujtojmë një shprehje të studjuesit kosovar Zekirja Cana, në një takim me kuadro e studentë  në Akademinë e Arteve më 1990 ku profesori pohon. “Nuk mund të konceptohet gjuhësia shqiptare pa kontributin determinant të Mustafa Merlika Krujës”

                E mbyllim me Qazim  Koculin. Edhe emri i tij është fshirë nga historia. Përse? Sepse në Qeverinë e Mustafa Krujës ai u emërua si Komisar Fuqiplotë  i Qeverisë. E ky fakt bëri që për gjysmë shekulli, në të gjithë tekstet e historisë, emri i tij të mos përmëndej kurrë lidhur me luftën e Vlorës të 1920-ës. Po si qëndron e vërteta historike?

Kthehemi në vitin 1920. Vlora është e pushtuar nga forcat italiane. Me nismë të Qazim Koculit, Osman Haxhiut, Hysni Lepenicës, Qazim Kokoshit, Ali Beqirit si edhe Duro Shaskës, organizohet Kuvëndi i Barçallasë (simbas emrit të fshatit ku u mblodhën). Aty u zgjodh një komisjon prej 16 vetash i kryesuar nga Qazim Koculi. Komisioni hartoi memorandumin e famshëm që qe një ultimatum drejtuar forcave italiane me kërkesën që brënda 45 orëve ushtritë italiane të largoheshin nga Vlora. Me që italianët nuk reaguan, më 19 maj 1920 u zgjodh Komiteti i Luftës së Vlorës me Komandant të Përgjithshëm Qazim Koculin. Komiteti i dërgoi komandantit italian gjeneral Piacentinit telegramin me të cilin njoftohrj komanda italiane se në rast moslargimi brënda 24 orëve forcat shqiptare  do t’u binin me armë. Komandanti italian nuk i u përgjigj  telegramit dhe …. tjetra është histori që përshkruan se si ushtria italiane u hodh në det. Më 3 shtator 1920 Qazim Koculi, në krye të forcave ushtarake që komandoheshin prej tij, hyri triumfalisht në Vlorë. Mijëra vlonjatë brohorisnin rrugës nga Skela e deri tek Sheshi i Flamurit. Halim Xhelua, duke e komentuar Luftën e Vlorës shprehej: “Në qe populli i Labërisë Sparta, trupi i Kryengritjes dhe Komisioni i të Dymbëdhjetëve sytë, goja dhe veshët, Qazim Koculi qe shpirti i Epopesë së Vlorës!”

                Qeveria e asaj kohe mori një vendim historik dhe i dhuroi Qazim Koculit, komandantit të Përgjithshëm të forcave që e çliruan Vlorënnga italianët, një vilë në ujin e ftohtë të Vlorës.

Këto, të nderuar lexues të këtyre rradhëve, janë të vërtetat historike rreth figurës së Qazim Koculit. Mirëpo tekstet e historisë të periudhës diktaturës, për thuajse gjysmë shekulli, udhëheqësin dhe strategun e Luftës së Vlorës paraqitën Selam Musain. Selam Musai vërtet mori pjesë n’atë luftë, duke dhënë edhe jetën për çlirimin e Vlorës, Askush nuk ia mohon sakrificën e tij madhore. Por nisur edhe nga logjika më e thjeshtë, a ka të ngjarë që në një ballafaqim luftimesh të asaj natyre, forcat të komandoheshin nga një fshatar i thjeshtë apo nga një ushtarak që kish kryer Akademinë e Admiraliatit në Stamboll?

I rikthehem tashti edhe një herë boshtit të përgjigjes time, pyetjes s’uaj, zoti Jaku. Përgjatë kësaj interviste nuk është rasti të trajtoj si edhe të shpjegoj përse Mustafa Merlika e emëroi Qazim Koculin Komisar Fuqiplotë të Qevërisë. As nuk kam se si nga ana tjetër të trajtoj faktin përse Qazim Koculi, antiitaliani i betuar, e pranoi atë detyrë, probleme të cilat mbase i trajtojmë gjërësisht herë tjetër e ashtu si u takon, shtroj pyetjen aspak retorike por tejet të dhimbëshme se tek ballafaqohen të vërtetat historike me veprën e historianëve shtrëmbërues të historisë : a nuk është mashtrim i së shkuarës të popullit tonë, për qëllime të dobëta etiko- morale të paraqitësve, që figurën  e Qazim Koculit e kanë mohuar për dhjetëra vite si protagonist të thyerjes së ushtrive italiane dhe hedhjes së tyre në det?

Vazhdoj tashti lidhur me emërtimin e kryengritjeve të  Malësisë së Madhe, njëra kundër forcave shfarosëse otomane azim  me në krye Durgut Pashën dhe tjetra kundër Divizionit të Mbrojtjes, komanduar nga Mehmet Shehu. Do të mundokem, me aq sa mundem, t’a jap edhe unë ndihmesën time sa më objektive, në mbështetje të pozicionimit tuaj Z. Jaku.

Po të gjurmojmë në faqet e gazetës  Then  Times, 21 korrik 1911, do të lexojmë shprehimisht; … kur të shkruhet historia e kohës sonë, lufta  e malësorëve shqiptarë do të përmëndet si një nga epizodet më të shkëlqyer të luftës moderne. Gjithashtu lexojmë në Manchester Guardian shkrime të Miss Edith Durham-it e cila me korrespondencat e saja donte t’ia hapte sytë Evropëe … lidhur me luftën e pamposhtur të malësorëve shqiptarë kundra ushtrive dhunuese turke si edhe manovrat e fëlliqura të Krajl Nikollës dhe padrejtësitë që u bënte ai shqiptarëve … Mendoj se  dëshmi më ndriçuese qëmtuar nga  shtypi bashkëkohës

I ngjarjeve të 1911-ës lidhur me pyetjen tuaj z. Jaku, unë nuk do të isha në gjëndje të jepja.

Sa u takon zhvillimeve që fillojnë më 1 janar1945 dhe që emërtohen herë Inkursioni i Brigadës së I-rë në veri, apo Lëvizje  antikomuniste e udhëhequr  nga elementë fashistë e  kriminalë, siç cilësohen  në tekstet  më 1994, 1999 si edhe në vitin 2000, ato ishin një Kryengritje e mirëfilltë e Malësisë së Madhe të 1945-ës, sepse me luftë të  ashpër thyheshin,  duke përparuar dora dorës  drejtë jugut, forcat e Divizionit të Mbrojtjes, ra Kopliku në duart e kryengritësve dhe mos të kishin ardhur përforcime nga qëndra, rënia e Shkodrës në duart e kryengritësve ishte tashmë çështje ndonjë dite.

Kjo kryengritje pastaj ka edhe meritën se shënon fillimin e një rezistence dhjetëvjeçare kundra diktaturës, e pashëmbulltë kjo si kohëzgjatje në asnjërin vënd tjetër të kampit socialist. Nuk e di në se me kaq munda t’a shuaj kurreshtjen tuaj fillestare, zoti Jaku, sa i takon interesimit tim lidhurme historinë si edhe personalitetet historike që zutë në gojë.

Pyetje: Ka afro një vit që është krijuar Lidhja e Intelektualëve Shqiptarë. A jeni inkuadruar në të dhe si e vlerësoni?

Përgjigje: Jo vetëm që e di se është krijuar kjo Lidhje, por kam patur nderin që grupi nismëtar të më ftonte  që në mbledhjen e parë të saj. Në parim nuk kisha asnjë kundërshtim, përkundrazi, vetëm se desha të shihja në praktikën e veprimtarisë së kësaj Lidhje, cili do të ishte pozicionimi i tyre ndaj trajtimit të të vërtetave historike të kombit tonë. Aq është e vërtetë sa që me rastin e përkujtimit të pëvjetorit të 90-të  të ngritjes së flamurit në Vlorë, kryetari i Lidhjes sonë zoti Zef Brozi, më ftoi dhe unë mbajta kumtesën kryesore me atë rast. Për hir të së vërtetës duhet edhe të shtoj se mbas mbledhjes, ndërsa zoti Brozi më përgëzoi për nivelin e paraqitjes që bëra  si edhe për të vërtetat që thashë, unë e falënderova dhe i shpreha pikëpamjen time sipas së cilës  në qoftë se kjo Lidhje do të trajtonte në të ardhmen tema për ngjarje historike, probleme gjuhësore, si edhe figura historike, me prirje si edhe vullnetin e mirë që të trajtohen këto probleme me frymën e drejtësisë dhe të shërbimit të çështjes kombëtare, duke ngritur zërin në drejtim të korrigjimit dhe mënjanimit të gabimeve të bëra përgjatë periudhës diktatoriale, unë pa as më të voglën mëdyshje do të bëheshanjë aktivist i Lidhjes në fjalë.

                Mirëpo me keqardje e them se që nga 28 nëntori i vitit që shkoi nuk jam njoftuar më për asnjë aktivitet të Lidhjes. Mundësitë janë dy: ose Lidhja që nga 28 nëntori i shkuar ka rënë në një farë letargjie, gjë e cila më hidhëron, ose po ngjet ajo që kurrë nuk do t’a dëshiroja, që vija se si e kupton lidhja trajtimin e problemeve vazhdon e është në sinkron me atë linjë që është mbajtur përgjatë diktaturës nga Institutet e Akademisë së Shkencave të Tiranës dhe vazhdon e mbahet edhe sot e kësaj dite. E me që unë me shkrime të ndryshme edhe fakte historike, të paraqitura e botuar në shtypin shqiptar, u jam kundërvënë qëndrimeve të kësaj natyre të Institureve në fjalë, mbase e kam fituar të drejtën të quhem person i padëshiruar për Lidhjen e Intelektualëve të Michiganit. Kjo do të më  hidhëronte akoma më shumë.

Pyetje: Ka disa shoqata që përpiqen të veprojnë në komunitetin tonë. Si i vlerësoni ju ato, sidomos qëndrat kulturore?

Përgjigje: Si rregull, etika kërkon që kurrë nuk duhet t’i përgjigjet një njeri një pyetjeje me një pyetje nga ana e tij. Por në rastin konkret unë do t’a shkel rregullin, me lejen tuaj zoti Jaku, dhe u them me plot gojën e me sinqeritet: A ka gjë më të bukur për një bashkësi të mërguarish në vënt të huaj, siç jemi ne, që të kemi shoqata si edhe qëndra kulurore? Po të funksionojnë mirë këro shoqata si edhe të zhvillojnë veprimtarí me katakter kombëtar, kurrë breznitë e ardhëshme që do të na pasojnë, nuk do t’a humbasin traditën kombëtare. Shëmbull shumë i bukur e për t’u ndjekur është ai i bashkëkombasve tanë të ikur në Italinë e jugut që në kohë të Skënderbeut. Ata ndjekin shkollat e tyre, e kanë ruajtur gjuhën tonë të bukur, (vërtet arkaike), të mesjetës, por gluhë të bukurë skipe dhe ç’është më e rëndësishmja, e kanë ruajtur me fanatizëm krenarinë kombëtare.

E quaj veten fatlum që jam takuar disa herë me njerin nga aktivistët e palodhur tanë arbëreshë, At Anton Belluscin dhe kam patur fatin të diskutoj e të rrah probleme me të. Nuk di t’ua përshkruaj se me sa pasion ai fliste për gjuhën, folklorin, doket si edhe zakonet e ruajtura nga komuniteti shqiptar arbëresh për më shumë se pesë shekuj. Mirëpo tek fliste me vrull e krenarí për arbëreshët, një hije ia mbulonte fytyrën tek biseda çvendosej tek arvanitasit. At Belusci është personi që ka lokalizuar duke i shkelur me këmbët e tija e duke i vizituar 800 vëndbanime arvanitasish në Greqi. Por atje, siç më thosh ai tamam përvajshëm, gjëndja ndyshon kryekëput nga ajo e Kalabrisë. Koha , si edhe kryesisht dhuna politike greke, po e bënin punën e tyre. Ai me lot në sy më tregonte se si duke ecur rrugës nga një fshat në tjetrin, ndalon një kalimtar dhe e pyet duke iu drejtuar në gjuhë shqipe: Fshati përballë  fshat arvanitas është, apo jo?  Dhe fshatari , duke iu përgjgjur po shqip, i thotë; Jo uratë, nuk ka  shqiptarë këtu. Ne jemi të gjithë grekëê! S’ka shqiptarë këtej.

                E zura në gojë këtë episod të dhimbshëm sepse në territorin grek jo vetëm arvanitasit që thuajse e kanë humbur identitetin e tyre kombëtar, por tragjedi është me mërgatën e tre viteve të fundit në Greqi ku, për koniunktura të çastit, po vetëquhen grekë shqptarë të mirëfilltë. Prandaj i solla dy shëmbujt e arbëreshëve si edhe të arvanitasve që t’a forcoj idenë se ç’rol të rëndësishëm lozin shoqatat si edhe qëndrat kulturore për t’a mbajtur të gjallë trashëgiminë kombëtare tonën, në dhé të huaj.

E në këtë kontekst nuk kam se si të mos i përgëzoj  nga zemra të gjithë aktivistët e Shoqatës Ҫamëria që po mundohen t’a bëjnë të pamundurën të mundur, duke hulumtuar e duke popullarizuar dokumenta historike si edhe pronësishë shqiptare në Ҫamëri, që të tregojnë se me kufijt tokësorë në mes Shqipërisë e Greqisë është kjo e fundit që na ka borxh ne dhe jo anasjelltas!

  Pyetje: Si duhet të funksionojnë shkollat për mësimin e gjuhës shqipe sipas jush?

Përgjigje: Shqipëria, mund t’a pohoj  pa ndrojtje, mund të merret si shëmbull pozitiv lidhur me arsimimin e minoriteteve  brënda kufinjëve territorialë shqiptarë. Kurse sa i takon mbajtjes gjallë të gjuhës si dhe kulturës shqiptare në botë, praktikisht ëshë bërë shumë pak. Veçanërisht në kushtet aktuale  të një largimi masiv nga Shqipëria mbas rënies së diktaturës, jam i mendimit se duhen sponsorizuar  urgentisht shkollat shqipe në shtetet ku bashkësitë e shqiptarëve janë të mëdha. Përvoja nuk mungon. Shëmbulli arbëresh është sa i bukur, po aq kokëfortë, por edhe nxitës për veprim. Pesëdhjetë vite të shkuara Hirësia e Tij ImamVehbi Ismaili çeli pranë  xhamisë Detroitit, të themeluar prej Tij, shkollë shqipe për fëmijët e famijeve shqipfolëse. Kjo traditë  ndiqet edhe sot e kësaj dite. Edhe kishat katolike  veprojnë në të njëjtën mënyrë. Mirëpo tek të dyja institucionet ndeshemi me të njëjtën mangësi : pjesëmarrje tejet e kufizuar nxënësish. Pa patur një statistikë të saktë sa i takon numurit të popullatës shqipfolëse si njësi demografike, pa le pastaj edhe të grup moshave, është e qartë se nuk mund të flitet për përllogaritje të sakta. Por mbështetur vetëm në një shifër hamendësore, sipas së cilës në zonën e Detroitit banojnë rreth 50.000 shqiptarë, a përligjet me këtë sasi banorësh numëri prej jo më shumë se 60 – 70 fëmijësh që ndjekin klasat e gjuhës shqipe në institucionet fetare që përmëndëm më lart? Prej kësaj natyrshëm gjithsecili mund të nxjerrë detyra  lidhur me ruajtjen e gjuhës  si edhe të traditave nëpërmjet të mësimit të historisë së kombit tonë. Së pari prindët, që as janë interesuar të mbajnë lidhje me indtitucionet fetare ku zhvillohen këto mësime, e nga ana tjetër edhe vetë këto institucione si edhe arsimtarët që japin mësim në to duhet t’a përmirësojnë dukshëm anëtarësimin e secilës familje shqiptare në këto institucione. Kurse arsimtarët, nga ana e tyre, duhet t’i  përvishen punës e të hartojnë ose përshtasin tekste dygjuhëshe si edhe të përkthejnë libra për fëmijët e moshave fillore si edhe për më të rriturit. Këtë vitpër herë të parë do të funksionojë pranë departamentit të gjuhëvë klasike të Wayne State University, edhe sektori i gjuhës shqipe. Krahas gjuhëve të tjera si spanjishtja, italishtja, frëngjishtja, greqishtja etj. që kanë vite që mësohen në nivel universitar, për shqipen ky është një nder që arriti dhe u fut në programin e këtij universiteti. Por është detyrë e familjeve shqiptare, bijat dhe bijtë e të cilave frekuentojnë këtë universitet apo edhe kolegje të tjerë, t’i nxisin ata t’a ndjekin pa mëdyshje kursin e gjuhës shqipe që të vazhdojë trashëgimia e saj.

Pyetje: Mediat televizive po shtohen. Kishim një tv, u bënë dy. Dhe së shpejti  mund të bëhet edhe i treti. Në qoftë se ju ndiqni këto programe, ç’mendime keni për to?    

Përgjigje: Me këtë pyetje sinqerisht më vini në pozitë të vështirë, sepse nuk ka gjë më të kollajtë se sa t’a gjykosh atë që punon. Me këtë desha t’ju them se nuk kam asnjë dëshirë t’i jap vetes të drejtën e kritikës, sado dashamirëse ajo qoftë. Sa i takon pasurimit të programeve, mendoj se ka fushë të gjërë veprimi. Sa për një shëmbull, mund të fillohet që nga organizim tryezash të rrumbullakëra ku të rrihen probleme që e shqetësojnë komunitetin tonë ose edhe më gjërë, duke e shtrirë disktimin në trajtim problemesh karakteri kombëtar ku diaspora mund t’a japë mendimin e saj të vyer pa le edhe ndihmesën e saj konkrete. Dua të theksoj në këtë kontekst se pozita dhe opozita në Shqipëri(cilado qofshin ato në periudha të caktuara kohore), duhet t’a kuptojnë se marrëdhëniet me diasporën nuk duhet të jenë vetëm ato të mjeljes financiare të saj, por edhe të partneritetit në shërbim të interesave të popullit shqiptar. Në këtë dretim media televizive mund të bëjë shumë. Nga ana tjetër fushë që ndiqet me interes nga shikuesi i televizionit është pa asnjë mëdyshje ajo e humorit, për të rriturit si edhe programet e fëmijëve mundësisht të subtitruara pa le folëse shqip, për fëmijët.

Pyetje: Si është e mundur që diskutimi i pavarësisë së Kosovës është bërë tashmë çështje dite ndërsa për fatin e popullsisë çame, me gjithë ngritjen e zërit prej vetë çamëve, opinioni botëror thuajse nuk është sensibilizuar  fare? Cili është mendimi i juaj në këtë drejtim?

Përgjigje : Problemi kosovar i krahasuar me atë çam, në burim, janë krejtësisht të ngjashëm si dhe të pandarë, Me një fjalë nuk janë dy probleme por, pjesë përbërëse të të njëjtit problem: Caktim arbitrar i vijës së kufirit duke lënë jashtë trojeve shqiptare territore të banuara nga popullsi mbi 90 % shqiptare!

                Dukle ngushtuar problemin, çështja Kosovë  e fitoi të drejtën e të trajtuarit më me përparësi se sa ajo Ҫamëri, për disa arësye. Së pari, Kosova  në vitin 1941 iu bashkua nga ana administrative Shqipërisë Amë, duke u krijuar një administratë si edhe rrjetë shkollash filllore dhe të mesme që drejtoheshin nga dikasteret qëndrore në Tiranë. Në vazhdim, ndonëse  regjimi komunist e harroi marrëveshjen e Bujanit ku njëra nga pikat ishte se mbas fitores mbi fashzmin Kosova në mënyrë plebishitare do të vendoste me votë popullore formën e qeverisjes së saj, dhe me gjithë shpërnguljet masive të detyruara nga klika Tito – Rankoviç drejtë Turqisë të kosovarëve myslimanë, si edhe vrasjet edhe ato masive që ata kryen, prap se prap raporti i popullatës në trojet kosovare ishte në shkallë vërshuese në favorin e shqiptarëve ndaj serbëve. Edhe vetë dhënia e detyruar e statusit të Krahinës Autonome Kosovës, brënda kuadrit të Republikës Federative Jugosllave , e bënte problemin kosovar të ishte vazhdimisht çështje e hapur për diskutim. E përgjatë kësaj hullije vijmë pastaj tek veprimet  e çmëndura raciste – kriminale të Millosheviçit që si kundëveprim patën ngritjen dhe veprimtarinë luftarake të UҪK-së e deri tek ndëhyrja, me urdhërin e Presidentit Klinton, të forcës ushtarako – ajrore amerikane për t’i thyer e shpartalluar repartet e forcave policore si edhe paraushtarake sërbe që po vrisnin e masakronin egërsisht e si pasojë  e detyronin të shpërngulej jashtë Kosovës në mënyrë masive popullatën kosovare. E gjithë kjo vazhdë e mundësoi që të vijë  dita ku alternativat e zgjidhjes problemit kosovar, sipas mendimit tim, të jenë dy:

Më e ngjashmja, pavarësia e Kosovës, kurse aktualisht më e pangjashmja, por me mundësi potenciale të ardhëshme, Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

                Ndërsa çështja çame është shumë më e komplikuar. Qëkur u materializua padrejtësia e vendosjes vijës së kufirit, të gjtha fuqitë e mëdha lanë duart si Pilati, kurse shteti grek, pasues  i denjë i Danajve, tregoi e vërtetoi katërcipërisht se shprehja e Laokoontit Timeo Danaos  et dona ferentes, (ua kam frikën Danajve  edhe kur japin dhurata), sintetizon qartë si drita e diellit veprimet e tyre dredharake, të pabesa e me objektiva tejet keqdashëse ndaj Shqipërisë e popullit të saj, e jo më ndaj popullatës çame, po se po!

Për t’ia bërë diçka më të qartë lexuesit rrjedhimin e të gjithë çështjes çame, mendoj se ky i fundit do t’a mirëpresë një panoramë fluturimthi të dinamikës së ngjarjeve, nisur nga fakti se kanë kaluarkaq shumë dhjetëvjeçarë sa që edhe njohuritë rreth çështjes çame, padyshim që s’kanë  se si të jenë ndryshe, veçse të vagëta.

Që ditën e 28 nëntorit 1912 qeveria e Ismail Qemalit ua njoftoi shpalljen e mëvehtësisë së Shqipërisë  Fuqive të mëdha si edhe shteteve fqinjë duke kërkuar nga këta të fundit largimin e menjëhershëm të trupave të tyre nga territoret shqiptare. Situata ishte tejet e mprehtë sepse në rradhë të parë Turqia nuk e njihte këtë pavarësi, kurse me forcat sërbe, greke, bullgare si edhe malazeze u zhvilluan ndeshje të përgjakëshme e të menjëherëshme. Qeverisë së Ismail Qemalit iu premtua, (sa larg janë premtimet nga faktet), përkrahje  vetëm nga Austro – Hungaria si edhe nga Italia. Në këtë situatë shpërthyese u mblodh në Londër më 17 dhjetor 1912 Konferenca e Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha nën kryesinë e ministrit të Punëve të Jashtëme t’Anglisë, Sir Eduard Greyt. Më 20 dhjetor Sir Grey lexoi komunikatën e përbashkët e cila e njihte autonominë e Shqipërisë, por me kusht që Sërbisë t’i lihej dalje në Adriatik. I vetmi që e mbrojti Shqipërinë e porsalindur qe Konti Mensdorf, ambasafori i Austro – Hungarisë. Në sintezë ai mbështeste mos shkëputjen si edhe mos cënimin e asnjë territori të banuar nga shqiptarë. Qëllimi i tij ishte të ruante krahinën e Shkodrës si edhe të Ҫamërisë nga uzurpimi eventual respektivisht nga Mali i Zi si edhe nga Greqia. Qëndrim djallëzor mbajti ambasadori i Rusisë A.K.Bekendorf që e kundërshtoi hapur pozicionin e Kontit Mensdorf. Kurse ambasadori i Italisë, Imperiali, së bashku me atë të Gjermanisë, Lichnovsky u treguan të pavendosur dhe abstenuan. Ambasadori rus Bekendorff shkoi edhe më tutje dhe pohoi se për t’a zgjidhur çështjen e shtetit shqiptar duheshin shikuar dhe ballancuar  mirë interesat e ndërsjella të fuqive të mëdha! (?) Qeveria shqiptare e informuar rreth pazarllëqeve që po bëheshin në londër, (sepse Shqipëria nuk u pranua as të ketë vëzhgues në konferencën ku diskutoheshin fatet e saj), me 23 dhjetor nisi për në Londër një delegacion të kryesuar nga Rasih Dinua prej Preveze, (i biri i Abedin Pashë Dinos që më 1880, duke qënë ministër i Jashtëm i Perandorisë Osmane, e pati mbrojtur me forcë çështjen shqiptare) dhe të përbërë nga Mehmet Konica, Filip Noga si edhe Sotir Kolea. Ky delegacion ku bënin pjesë dy personalitete çame, e ngriti zërin në kontaktet që pati në Londër dhe ia hoqi perden e fshehtësisë asaj konference. Krahas veprimtarisë të delegacionit, qeveria shqiptare i dërgoi edhe një memorandum konferencës së ambasadorëve ku, ndërmet të tjerave, theksohej se … vënia nën zgjedhë të huaj tokash shqiptare me popullatë dërmuese të tillë, do të thotë të përjetësohen grindjet dhe trazirat …! Megjithatë konferenca i vazhdonte e patundur punimet duke shikuar  vetëm interesat e fuqive të mëdha. Më 26 mars 1913 delegacioni shqiptar denoncoi se kufijtë e Shqipërisë jugut po vendoseshin duke bërë Pazar mes interesave austro – hungareze dhe atyre ruse. Dhe qeveria greke, djallëzore si gjithmonë, më 27  mars 1913 pranë përroit të fshatit Selan të Paramithisë, masakroi 72 prijës të shquar e burra kuvëndi çamë! E në këto çaste kaq kritike për Shqipërinë e porsalindur, më 19 maj 1913 Greqia bën marrëveshjen e fshehtë me Sërbinë duke i ndarë sferat e influencës tyre përgjatë vijës Seman – Devoll – Kamje. Më 11 gusht 1913 Konferenca e Londrës i mbylli punimet. Ҫamëria u la në mëshirën  e genocidit grek. 4000 km. katrore toke çame me një popullatë prej mbi 75.000 banorësh shqiptarë, mbetën pré e grekëve, pa futur këtu në llogari viset e tjera të Janinës, Kosturit dhe Follorinës.

Vazhduan pastaj shpërngulet masive me dhunë të çamëve për në Turqi si edhe në Shqipëri. Në Shqipëri, përgjatë viteve, 1913 – 1914, erdhi ajka e popullsisë çame patriote që braktisën maii’e pasuri veç të bashkoheshin brënda territorit të Shqipërisë me vëllezërit shqiptarë.

Më 30 janar 1923, përgjatë punimeve të Konferencës së Lozanës, merren vesh qeveritë greke dhe turke për të shkëmbyer minoritetet e tyre. Mirëpo kjo bënte pjesë në planin djallëzor grek që gjithë çamët myslimanë t’i shkëmbente me pakica greko – ortodokse  banuese në Turqi, e kësisoji hiqte qafe çamët shqiptarë dhe tokat e tyre i popullonte me greko – ortodoksët e ardhur nga Turqia. Kjo pra ishte edhe prapaskena e kësaj konference. Kurse zyrtarisht, para Lidhjes së Kombeve, kryedelegati i Greqisë në Konferencën e Lozanës E. Venizellosi dhe përfaqësuesi grek në konferencë Caclamanosi, deklaronin se Greqia i respektonte të drejtat e popullsisë çame si komunitet shqiptar brënda territorit grek.

Në ato rrethana tejet të rënda Mid’hat Frashëri i shruante Ahmet Zogut në dimrin e vitit 1923 se … hallet dhe vuajtjet e shqiptarëve të Ҫamërisë kanë arritur në pikë akute dhe shpejt do të përballohemi me një eksod tragjik … Dhe në fakt Greqia me dhunë i detyroi çamët  të shpërnguleshin e të popullonin Anadollin aziatik, ose të ndërronin fenë si edhe emrat e tyre që të mos quheshin më pakica shqiptare por… grekë! E kësisoji  fatkeqësisht vitet e bënë të tyren si me popullsinë autoktone çame të Ҫamërisë e gjithashtu edhe me territorin e mirëfilltë çam.

Tashti edhe dy fjalë lidhur me diasporën si edhe rolin  e saj, i shikuar ky problem njëherazi me qëndrimin e Tiranës zyrtare ndaj problemit  çamët si edhe Ҫamëria. Diaspora shqiptare e Amerikës, nëpërmjet shoqatavedhe organizmave të saj e ka ngritur zërin e saj dhe, deri në një farë mase, ka arritur rezultate konkrete në drejtim të sensibilizimit të opinionit publik në Sh. B. A. në të gjithanivelet, që nga kongresmenët, senatorët e deri tek presidentët Clinton edhe Bush. Mirëpo personalisht nuk mundem t’a kuptoj se si e sheh Tirana zyrtare pozicionimin e saj ndaj çështjes çame, në një kohë që diaspora përpiqet t’a ngrejë  atë në nivele të tilla për zgjidhje ndërkombëtare, kurse Nikos Gadzojanisit, (alias Nicholas Gejxh), i rezervohet pritje zyrtare nga ana e qeverisëshqiptare! (?) E Gadzojanosi me pafytyrësinë më të madhe vazhdon e deklaron se 3o% e popullatës brënda kufinjëve shtetërorë shqiptarë është popullatë greke!(?) kurse për çamët deklaron se ata ishin të gjithë bashkëpuntorë të nazistëve gjermanë! (?)

E në këtë kontekst nuk duhet harruar se qëndrimi i zyrtarëve të Tiranës e vështirësoi skajshmërisht kërkesën e llogarisë që diaspora i drejtoi, nëpërmjet përfaqësuesve të saj Departamentit të Shtetit, lidhur me pritjen që i rezervoi edhe ambasada amerikane në Tiranë Nicholas Gejxhit!

Në përfundim të trajtimit të kësaj çështje, si pjesë përbërëse e problemit Kosovë edhe Ҫamëri, mendim im është se sukses do të qe sikur çështja çame  të arrihej të zyrtarizohej deri në sistemimin e saj nga ana ndërkombëtare. Më këtë kuptoj rikthimin çamëve të gjitha të drejtat e  nëpërkëmbura si edhe pronat, duke i dëshpërblyer ata për të gjitha humbjet e pësuara, e duke i lejuar ata të rikthehen në pronat e tyre në Ҫamëri. Kurse Ҫamërisë t’i jepet statusi i Krahinës Autonome Ҫame, brënda shtetit grek.

Mbase mund të vazhdonit e të më pòyesnit, zoti Jaku, në se Tirana zyrtare është dakord me këtë zgjidhje apo jo? Këtë përgjigje dijnë t’a japin vetëm ata drejtues shtetërorë që për hir të qëndrimit edhe politkës tyre ndaj Greqisë, si edhe mbrojtjes së interesave greke në Shqipëri në dëm të interesave shqiptare, me ndërgjegje e vetëdije e kanë sakrifikuar imazhin e tyre si shqiptarë sot e përgjithmonë.

 

[1] Giuseppe Mazzini (1805 – 1872) – Republikan idealist i pakompromos. Themelues i lëvizjes “Italia e re” roli i së cilës qe vendimtar gjatë Rilindjes Italiane. Bindja e tij: Idetë piqen shpejtë kur ushqehen me gjak martirësh!

Intervista- Joseph: Humbja e Orbanit, dritare e re për Kosovën, goditje e rëndë për Vuçiçin

Valona Tela

Humbja e Viktor Orbanit në zgjedhjet në Hungari krijon një dritare të re mundësie për Kosovën, vlerëson Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve.

Ai e përshkruan largimin e liderit hungarez pas 16 vjetësh në pushtet si një “goditje” për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se ai ka qenë një faktor kyç që i ka dhënë Beogradit hapësirë manovrimi brenda BE-së.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet ta shfrytëzojë këtë “dobësim të Vuçiqit”, të tregojë përgjegjësi shtetërore dhe ta pozicionojë Kosovën si faktor stabiliteti, duke i lënë pas qasjet përçarëse.

“Ashtu siç administrata Trump nuk është e interesuar për lojërat e Vuçiqit, ajo nuk është e interesuar as për ato të Kurtit. Pezullimi i Dialogut Strategjik shtatorin e kaluar ishte dëshmi për këtë”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë.

Joseph flet edhe për përplasjet mes SHBA-së dhe Evropës dhe ndikimin e tyre të mundshëm në Kosovë, në kohën kur në BE po shtohen thirrjet për më shumë autonomi në fushën e mbrojtjes.

Megjithatë, sipas ekspertit amerikan, roli i Shteteve të Bashkuara mbetet vendimtar – si boshti kryesor i NATO-s dhe garantuesi kryesor i sigurisë në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Në disa deklarata së voni keni thënë se politika perëndimore në Ballkan shpesh është e paqartë dhe jokonsistente. Në Evropë po shtohen diskutimet për uljen e varësisë nga Shtetet e Bashkuara në çështjet e mbrojtjes. Si i vlerësoni pasojat e këtij trendi për sigurinë e Kosovës?

Edward P. Joseph: Tensionet e paprecedenta në marrëdhëniet transatlantike dhe në NATO, që burojnë nga lufta në Iran dhe çështje të tjera të diskutueshme, kanë ndikim në të gjithë Evropën, përfshirë Ballkanin.

Për momentin, jam shpresëplotë se nuk do të ketë ndryshime në qëndrimin e SHBA-së ndaj [misionit të NATO-s në Kosovë] KFOR. Anëtarë të njohur të Kongresit nga të dyja partitë, Republikane dhe Demokrate, i kanë shkruar sekretarit të Shtetit [Marco] Rubio, duke i kërkuar që të mos ketë ndryshime në praninë e SHBA-së në KFOR.

Megjithatë, divergjenca mes Evropës dhe SHBA-së vazhdon dhe, pavarësisht kësaj, Evropa ende ka nevojë për SHBA-në për sigurinë e përgjithshme. Uashingtoni mbetet boshti kryesor i NATO-s, ndërsa NATO-ja mbetet boshti i sigurisë në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Ju shpesh keni theksuar rëndësinë e angazhimit të qëndrueshëm të SHBA-së në Ballkan. Nëse Evropa merr një rol më autonom në fushën e mbrojtjes, a prisni ndonjë ndryshim në angazhimin e Uashingtonit në Kosovë?

Edward P. Joseph: Unë, si shumë të tjerë, besoj se çdo tërheqje apo ulje e pranisë së SHBA-së në KFOR-i, është krejtësisht e parakohshme.

Po, është e rëndësishme që Evropa të ndërtojë më shumë kapacitete për sigurinë e saj dhe Evropa po e bën këtë. Megjithatë, Evropa nuk gëzon besueshmërinë e SHBA-së dhe besueshmëria është përbërësi kyç për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan.

Rritja e vazhdueshme e armatimit në Serbi – përfshirë blerjen e raketave supersonike kineze – është një shqetësim serioz. Çfarë kërcënimi synojnë të luftojnë këto raketa?

Alarmet e vazhdueshme dhe të ekzagjeruara në Beograd për Deklaratën e Përbashkët të Sigurisë mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës janë gjithashtu shqetësuese, pasi Beogradi duket se po e përdor atë si pretekst për t’u armatosur dhe për të krijuar artificialisht një ndjenjë rreziku brenda vendit.

Radio Evropa e Lirë: Keni paralajmëruar më herët për paqartësitë në politikën e Perëndimit ndaj Serbisë. Debatet aktuale për “autonominë strategjike” të BE-së, a mund – pa dashje – t’i krijojnë Serbisë ose Rusisë mundësi për të testuar sa i bashkuar është Perëndimi në rajon?

Edward P. Joseph: Jo, nuk shoh asnjë lidhje mes autonomisë strategjike evropiane dhe politikës perëndimore ndaj Serbisë. Përkundrazi, shoh një ashpërsim të vonuar të qëndrimit të BE-së ndaj Serbisë.

[Komisionarja për Zgjerim e BE-së] Marta Kos ka kritikuar Beogradin për ligjet në gjyqësor. Po ashtu, po diskutohet seriozisht mundësia e pezullimit të një pjese të konsiderueshme të fondeve të BE-së.

Në të njëjtën kohë, administrata Trump nuk duket e interesuar për lojërat e Vuçiqit.

Uashingtoni e ka befasuar Beogradin me qëndrimin e fortë për nxjerrjen e rusëve nga [Industria e Naftës] NIS. Shpresohet që zgjedhjet në Hungari ta përshpejtojnë shitjen e NIS-it te [kompania hungareze] MOL.

Rusia dhe mbështetësit e saj kryesorë në Serbi nuk mund të jenë të lumtur që [kryeministri në largim i Hungarisë] Viktor Orban nuk do të jetë më ai që mbikëqyr MOL-in dhe kontrollin mbi NIS-in.

Humbja e partisë Fidesz të Orbanit në zgjedhjet në Hungari vetëm sa mund ta inkurajojë BE-në që, më në fund, të mbajë përgjegjës Beogradin dhe presidentin Vuçiq për reformat, për shtypjen e brendshme dhe për politikat destabilizuese ndaj fqinjëve të Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Në kontekstin e dialogut të ngecur midis Kosovës dhe Serbisë, a mund ta përmirësojë një qëndrim më i fortë mbrojtës i BE-së ndikimin e saj politik? Apo mungesa e unitetit të brendshëm të BE-së mbetet pengesë kryesore…

Edward P. Joseph: Kjo e dyta – ndarjet e brendshme në BE lidhur me Kosovën – është pengesa e vërtetë për ndikimin politik të BE-së në Ballkan.

Në fakt, siç kam shkruar dhe deklaruar edhe më herët, katër vendet e NATO-s që nuk e njohin Kosovën – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – e mbajnë të ngrirë këtë ngërç dhe e mbajnë rajonin të bllokuar.

Këto katër vende anëtare të NATO-s ia dorëzojnë në të vërtetë ndikimin Serbisë, duke i dhënë në mënyrë efektive Beogradit një lloj vetoje mbi lëvizjet e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së.

Nuk ka nevojë të merret në konsideratë ndonjë forcim ushtarak nga Evropa, kur Evropa është ende e ndarë politikisht për shkak të Kosovës. Në SAIS, kam publikuar dy punime për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Së pari, Ukraina mund ta njohë Kosovën – gjë që do të nxiste njohjen nga Greqia, e më pas nga Rumania dhe Sllovakia. Spanja, pastaj, do ta ndiqte natyrshëm këtë rrugë.

Së dyti, SHBA-ja mund të ofrojë një rrugë për anëtarësimin e Serbisë dhe Kosovës në NATO. Kjo do të ishte menjëherë transformuese për gjithë rajonin.

Por, për ta arritur këtë, Evropa duhet fillimisht të tejkalojë krizën aktuale në marrëdhëniet me administratën Trump.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë mjedis në ndryshim, cili duhet të jetë prioriteti kryesor strategjik i Kosovës?

Edward P. Joseph: Prioriteti strategjik i Kosovës duhet të jetë pikërisht shfrytëzimi i vështirësive të Vuçiqit për t’u shfaqur si një shtyllë stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkan. Pas takimeve të tij në Paris dhe Londër, tani është momenti për kryeministrin Albin Kurti që ta stabilizojë situatën në Kosovë.

Kurti duhet të tregojë përgjegjësi shtetërore dhe të bashkëpunojë me opozitën për një zgjidhje kompromisi për presidentin.

Kurti, gjithashtu, duhet të ndërmarrë hapa të veçantë për të treguar përkushtimin e tij të fortë ndaj komuniteteve joshumicë.

Ai duhet t’i vizitojë serbët dhe të deklarojë angazhimin e tij të plotë, se shërbimet shëndetësore dhe shërbimet e tjera do të vazhdojnë pa ndërprerje, derisa institucionet dikur serbe të integrohen në Republikën e Kosovës.

Ndërsa Vuçiq përballet me një vëmendje gjithnjë e më të madhe nga BE-ja – ku ai nuk e gëzon më mbrojtjen e Viktor Orbanit – Kurti mund ta shfrytëzojë këtë situatë.

Tani është momenti për të vendosur interesat e Kosovës në plan të parë dhe për të treguar kapacitete shtetërore si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: A ka qenë Orbani deri më tani një nga faktorët kryesorë që i ka dhënë Serbisë hapësirë për manovra brenda BE-së?

Edward P. Joseph: Po, Orban ka qenë faktor kyç – por jo i vetmi – që i ka dhënë Vuçiqit hapësirë manovrimi brenda BE-së.

Së pari, humbja e madhe zgjedhore e Orbanit është një tjetër goditje për Vuçiqin. Ndikimi në Beograd është shumë më i madh sesa arrestimi i Nicolas Maduros në janar, që gjithashtu erdhi si surprizë për presidentin serb. Këtë herë, ndikimi ndihet edhe në Uashington dhe në Moskë, duke goditur gjithë agjendën populiste-autoritare dhe proruse.

Së dyti, humbja e Orbanit është një shtysë për opozitën në Serbi në një vit zgjedhor. Krahasimi është i dukshëm për të gjithë: ‘nëse hungarezët mund ta largojnë Orbanin, atëherë serbët mund ta largojnë Vuçiqin dhe SNS-në’.

Së treti, kjo humbje rrit vetëbesimin e BE-së, pikërisht në momentin kur Vuçiq po përballet me një vëzhgim gjithnjë e më të madh. Komisioni i Venecias pritet të japë opinion për ligjet kontroverse për gjyqësorin, ndërsa Parlamenti Evropian pritet të publikojë një raport që ka gjasa ta trajtojë presionin e Beogradit ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe opozitës.

Shkurt, humbja e Orbanit i heq Beogradit mbrojtësin e tij kryesor brenda BE-së, ndërsa njëkohësisht dobëson aleatët e Vuçiqit në Uashington dhe Moskë.

Dhe, siç është parë, administrata Trump nuk i ka ofruar Vuçiqit mbështetje të fortë siç i ka dhënë Orbanit.

Budapesti mori një zgjatje njëvjeçare për importin e naftës dhe gazit rus, ndërsa Beogradi u përball me sanksione ndaj NIS-it, që çuan në mbylljen e rafinerisë në Pançevë. Kjo do të thotë se tani ka edhe më pak arsye që Uashingtoni ta mbështesë Vuçiqin.

Radio Evropa e Lirë: Thatë pak më herët se tani është momenti për Kurtin që t’i vërë interesat e Kosovës në plan të parë dhe të tregojë aftësi shtetërore brenda dhe jashtë vendit. Duke pasur parasysh që Kosova mbetet vendi më i prapambetur në integrimin në BE… çfarë përfitimesh konkrete mund të presë realisht në këmbim?

Edward P. Joseph: Zgjedhjet në Hungari krijojnë një mundësi të rëndësishme për Kurtin, nëse ai di ta shfrytëzojë atë.

Me Aleksandar Vuçiqin të dobësuar dhe Serbinë që hyn në një periudhë të tensionuar zgjedhore, nën një vëzhgim gjithnjë e më të madh nga BE-ja, Kosova mund të shfaqet si një burim stabiliteti.

Për ta arritur këtë, kryeministri Kurti duhet të heqë dorë nga populizmi i tij përçarës. Ai duhet të ndërtojë konsensus për një president të ri, duke shmangur zgjedhjet e përsëritura që janë të panevojshme dhe shpërqendruese.

Në këmbim, Kosova mund të presë mbështetje të re në Bruksel, në kryeqytetet e BE-së dhe në Uashington.

Ashtu siç administrata Trump nuk është e interesuar për lojërat e Vuçiqit, ajo nuk është e interesuar as për ato të Kurtit. Pezullimi i Dialogut Strategjik shtatorin e kaluar ishte dëshmi për këtë.

Kurti ka mundësinë të ndryshojë perceptimin – një perceptim që e dëmton Kosovën – se ai është një nxitës problematik. Në vend të kësaj, ai mund të tregojë se ai dhe Kosova janë partnerë të vlefshëm për BE-në, NATO-n dhe SHBA-në.

“PS po shkon drejt fundit, po e gërryen korrupsioni”, ish-ministri sulmon Ramën: Partia e kryetarit, jo e anëtarëve! Qeveri tranzitore (Intervista)

VALENTINA MADANI/ Ish-ministri socialist, Arben Malaj, ka një qasje kritike dhe njëkohësisht alternative ndaj zhvillimeve politike aktuale në vend, me fokus të veçantë te situata brenda PSsë dhe ambicia e tij për të kandiduar në Bashkinë e Vlorës.

 

Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, me tone të forta, Malaj ngre alarmin për një parti që, sipas tij, ka humbur identitetin demokratik, është zhytur në korrupsion dhe është kthyer në një strukturë të centralizuar, ku mendimi ndryshe nuk ekziston më. Duke vënë në shënjestër drejtimin e Edi Ramës, Malaj flet për “kapje të shtetit”, manipulim të votës dhe një klimë frike që, sipas tij, po mban në këmbë pushtetin. Nga çështja “Balluku”, tek apatia qytetare dhe mungesa e protestave, ai flet për një panoramë të errët të realitetit politik, ndaj sipas tij, një qeveri tranzitore, por jo e partive politike mund të kthejë besimin e shqiptarëve te vota e lirë. Paralelisht, ai paraqet kandidimin e tij si një akt mirënjohjeje dhe përgjegjësie ndaj Vlorës, duke premtuar një stil drejtimi më të hapur, më njerëzor dhe më të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Z.Malaj, si e shihni klimën aktuale brenda Partisë Socialiste?

PS ka sfida shumë të mëdha, së pari për të kaluar nga një parti e kryetarit, në një parti të anëtarëve të saj. Pa e fituar këtë sfidë të brendshme, PS-ja do të venitet në misionin e saj si një forcë politike demokratike dhe qeveritë e saj do të jenë përherë e më të prekura nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, siç po ndodh aktualisht.

A ka sot PS-ja hapësirë për mendim ndryshe apo dominon një model i centralizuar vendimmarrjeje?

Fatkeqësisht jo. Mendimi ndryshe dhe liria e mendimit të lirë janë shkelur rëndë që ditën e parë që Edi Rama mori drejtimin e një prej partive më demokratike në vend, duke hequr kështu edhe një model referues pozitiv dhe inspirues, për të cilin ka nevojë ambienti shoqëror dhe politik shqiptar. Vdekja klinike e mendimit të lirë dhe mendimit ndryshe u bë me ndryshimet kushtetuese në 2008, ku u vërtetua edhe vëllazëria siameze e Ramës me Berishësn.

PS shkon në zgjedhjet e ardhshme lokale me një faturë të madhe mbi supe, atë të korrupsionit qeveritar. Sipas jush, sa do ta dëmtojë atë në zgjedhje?

Po, shembulli konkret është Vlora, ku pjesëmarrja në votime si për zgjedhjet parlamentare, edhe për bashkinë është e paimagjinueshme dhe e papranueshme, përveç faktit se sa shumë është rritur zhgënjimi dhe mosbesimi tek ‘Rilindja’.

Si e shpjegoni mbështetjen e vazhdueshme që PS-ja i jep Belinda Ballukut, pavarësisht se është marrë e pandehur nga SPAK dhe ka akuza të forta për afera korruptive?

Vlerësoj se edhe vetë znj.Balluku nuk duhet të pranojë të keqtrajtohet nga Rama në emër të besnikërisë. Patjetër, gëzon prezumimin e pafajësisë, por ka raste në politikë që politikanët i bëjnë një shërbim vendit duke bërë një ose dy hapa pas. Pa pranuar fajësinë pa vendim gjyqi, por duke investuar për kredibilitetin publik edhe pa mandat publik si ministre apo deputete, edhe përgjegjësi për të mos vonuar apo bllokuar perspektivën evropiane të vendit të saj.

A rrezikon kjo situatë besueshmërinë e PS-së në sytë e qytetarëve?

Patjetër. Rama fiton jo nga sukseset ekonomike, por nga sukseset e jashtëzakonshme të ndikimit abuziv dhe patronazhistëve në kërcënimin dhe vjedhjen e votave. Populli shqiptar ka një shprehje shumë domethënëse për mbretërit lakuriq: “Nuk mbulohet dot dielli me shoshë”. Diellin verbues të korrupsionit, kapjes së shtetit dhe babëzisë nuk e mbulon dot asnjë shoshë oborrtare.

Cila është zgjidhja sipas jush, sa imediat është rotacioni politik në Shqipëri?

Fillimisht duhet një qeveri tranzitore, por jo e partive politike. Kjo rikthen besimin se vota nuk do të vidhet, krijohet shpresë dhe angazhimi i kërkuar politik i shumicës së shqiptarëve dhe vlonjatëve.

Pse shqiptarët nuk ngrihen kundër qeverisë, pavarësisht abuzimit të qeveritarëve me taksat e tyre?

Këtë e qartëson një profesor i Yale University, i cili thekson se: “Kur votuesit humbasin besimin se vota e tyre sjell ndryshim, autokratët vijnë në pushtet pa tanke”. Ndaj thelbi i fushatës sime në Vlorë është të rritim pjesëmarrjen. Nuk ka qeveri, sado hajdute dhe e kriminalizuar të jetë që mund të mbytë vullnetin e qartë të disa qindra mijëra votuesve. Fitoren time e synoj në rritjen e ndërgjegjësimit të votuesve vlonjatë. Masivizimi i tyre në votime mbyt në mënyrë demokratike çdo skemë hajdute të votave.

Në këtë mjedis politik, ju keni shpallur kandidaturën për garën e kryebashkiakut të ri të Vlorës. Sa reale është ambicia juaj në këtë rast dhe çfarë ju motivon konkretisht?

E plotë, e qartë, e panegociueshme për të bërë hap pas. Mirënjohje e thellë e përditshme dhe e përhershme si edhe deri sot për Vlorën dhe vlonjatët, që më kanë inspiruar, mbështetur dhe promovuar në rrugëtimin e vështirë njerëzor, publik, akademik dhe politik.

Pse ky vendim si kandidat i pavarur, ndërkohë që angazhimi juaj politik ka qenë prej vitesh në PS?

Kur një derë u mbyll më 2013-ën, patjetër portat/horizonti i pakufizueshëm i Vlorës e lehtësojnë këtë angazhim të përkushtuar. U jam mirënjohës gjithë socialistëve, por në asnjë rast nuk do të konkurroja, për asnjë post publik, me logon e lyrosur të rilindasve të babëzitur. Kjo është një vijë e kuqe që nuk do ta shkel kurrë. Po e ripërsëris: kurrë nuk do të jem kandidat i ‘Rilindjes’ së babëzitur, të korruptuar dhe të kapur nga interesa të pista jo vetëm personale.

A keni pasur bisedime me PS që të merrnit mbështetjen e saj për ambicien tuaj?

Jo, sepse nuk është më PS-ja.

Çfarë doni të thoni se nuk është më PS-ja?

‘Rilindja’ në thelbin e saj aktual nuk ruan më asnjë vlerë të PS-së si parti demokratike e fjalës e mendimit të lirë dhe mendimit ndryshe.

Cilat kanë qenë reagimet pas deklaratës suaj për garën e Vlorës?

Shumë pozitive. Po ju them vetëm një fakt: në momentin që e bëra prezent këtë ambicie pozitive, detyruese dhe mirënjohëse ndaj Vlorës, e kanë parë këtë postim rreth 178 mijë veta. Kam mesazhe shumë inkurajuese dhe të sinqerta nga personalitete dhe të rinj të diasporës. Ndjej respekt kur kaloj rrugëve të Vlorës. Unë jam bashkërritur me Vlorën dhe vlonjatët e kjo më krijon premisë pozitive për këtë konkurrim.

Çfarë keni konkretizuar deri tani lidhur me garën për Vlorën?

Nuk dua kurrë t’i lodh vlonjatët me një vit fushatë para nisjes së saj zyrtare, siç bën Rama. Fushata ime do të jetë derë më derë, mirënjohëse, pozitive, paqësuese dhe bashkëpunuese. Larg sulmeve dhe akuzave shpifëse. Fushata zyrtare do të jetë vetëm brenda afatit njëmujor që përcakton Kodi Zgjedhor, por puna ime për të njohur problematikën, zgjidhjet për problemet e pazgjidhura prej dekadash ka filluar. Një grup ekspertësh, pa asnjë preferencë specifike politike, kanë filluar të angazhohen për prioritetet dhe sfidat konkrete të Vlorës.

Cilat janë avantazhet tuaja në këtë garë?

E para, është dhënia fund modelit të arrogancës së qeverisjes. E dyta, një model zhvillimi jo duke betonizuar Vlorën, por me vizionin afatgjatë të ‘Vlora2’, duke e mbajtur edhe të gjelbëruar Vlorën aktuale dhe jo kulla në çdo cep të saj. Duhet të orientohemi drejtë te modeli ‘Milano1’ dhe ‘Milano2’. E treta, dhe më thelbësore, do t’i shërbej Vlorës me integritet të lartë dhe të patregtueshëm. Këtë të fundit e vërteton me një fakt. Edhe se unë kisha një familje të madhe me nëntë fëmijë, edhe pse kam mbajtur pozicione të larta politike dhe qeverisëse, asnjë prej vëllezërve dhe motrave të mia, ndryshe nga kolegët e babëzitur, nuk ka përfituar asnjë qindarkë fonde nga buxheti i shtetit. Me të njëjtin integritet do të konkurroj dhe do t’i shërbej Vlorës. Do të konkurroj dhe do të përfundoj çdo mandat publik dhe politik duke jetuar në të njëjtën shtëpi modeste në Vlorë.

Çfarë mungon sot në drejtimin e Bashkisë së Vlorës?

Rama i ka keqtrajtuar të zgjedhurit e popullit të Vlorës duke i nënvleftësuar dhe deri duke i poshtëruar edhe publikisht. Rama e ka reduktuar funksionin e kryetarëve të bashkive deri në nivelin e drejtorëve të ndërmarrjeve komunale të paraviteve ‘90. Administrata publike e bashkisë keqtrajtohet, sikur detyrimi i saj të jetë vetëm të bëhen patronazhistë sybesnikë të palodhur për vjedhje të votave. Shumë prej tyre përzgjidhen nga sistemi i “patronazhistëve” pa minimumin e ndjesisë dhe përgjegjësisë ndaj Vlorës. Mos harroni shkarkimin me urdhër të Ramës të 24 administratorëve të bashkisë.

Cili do të jenë vizioni juaj për Vlorën?

Premtoj dhe garantoj se do të zhduk modelin makiavelist të drejtimit të Vlorës në bashki, institucione, agjenci dhe ndërmarrje publike. Rama qeveris me filozofinë makiveliste: “Më mirë të më kenë frikë sesa të më duan”. Në çdo angazhim timin publik, akademik dhe politik, mbi 40 vite udhëhiqem gjithnjë nga filozofia: “Më mirë të më duan sesa të më kenë frikë”.

Do ta reduktoj ndjeshëm arrogancën e frikës në çdo aspekt që shfaqet. (i) Tatimet, taksat dhe çdo institucion tjetër në varësi të bashkisë nuk do të paraqitet më për asnjë kontroll fizik në asnjë biznes. Analiza kundër informalitetit dhe mospagimit të taksave do të bëhet me analizë risku nga zyra. Edhe ballafaqimi do të bëhet në zyrat e taksave dhe bashkisë. (ii) Policia Bashkiake nuk do të ketë më makina dhe qëndrime fodulle nga xhamat e makinave, por do të operojë me këmbë ose biçikleta, duke i dhënë respekt maksimal çdo vlonjati dhe çdo turisti. (iii) Asnjë kontroll i zhurmshëm nëpër restorante dhe hotele gjatë sezonit ku tremben klientët, ky do të jetë një kujtim i hidhur nga e kaluara. (iv) Ndërmarrjet e bashkisë me humbje do të ristrukturohen rrënjësisht, duke vlerësuar çdo specialist dhe punëtor, por duke bërë ndërhyrjet e nevojshme që këto ndërmarrje të mos grabisin asnjë qindarkë të tatimpaguesve. (v) Praktika e turpshme e heqjes së aksesit në ujë apo bllokimi i ashensorëve në fillim të sezonit do të ndalohet menjëherë. Çdo vlonjat vendas dhe i ardhur, çdo turist vendas apo i huaj nuk do të përballet më me këtë arrogancë imponuese, prerjen e ujit dhe bllokimin e ashensorëve. Administratorët, nëse tolerojnë këto dy shkelje të dinjitetit njerëzor, rrezikojnë të humbasin vendin e punës. (v) Patronazhistët e ndërmarrjeve publike, duke filluar nga ujësjellësi, të rritur ndjeshëm në numër vetëm për të imponuar apo vjedhur votat, do të përballen me ligjin dhe shkeljen e Kodit të Etikës së çdo punonjësi të bashkisë dhe ndërmarrjeve publike e institucioneve të saj. Çdo projekt, përfshi këtu edhe Sazanin, i cili në qoftë se ka marrë të gjitha lejet sipas legjislacionit shqiptar për të investuar në Vlorë, nuk mund të pengohet. Kjo, sepse kostot janë shumë të rënda për tatimpaguesit shqiptarë. Çdo projekt i miratuar do të ndihmohet edhe nga Bashkia Vlorë, që të bëhen sa më parë funksionalë, të krijojnë vende pune dhe të ardhura. Mos harroni, rasti i pallatit “Basha”: i hedhur në erë me dinamit po u kushton shqiptareve 15 milionë euro, ndërsa rasti “Bechetti” rreth 150 milionë euro.

Njëherësh me ju, edhe Erion Braçe ka shprehur ambicien për Bashkinë e Tiranës. Si e shihni mundësinë e tij…?

Personalisht e kam mbështetur historikisht lirinë e mendimit të lirë, lirinë e mendimit ndryshe dhe sidomos angazhimin e tyre në sfidat e PS-së, të cenuara rëndë nga modeli i babëzisë së ‘Rilindjes’. Erionin e kam mbështetur publikisht kur kandidoi dhe fitoi ndjeshëm në zgjedhjet parlamentare. Erioni i ka lënë të hapura mundësitë të jetë kandidat në emër të PS-së, por ka theksuar se nëse PS nuk e kandidon, ai do të konkurrojë edhe i pavarur. Mundësitë apo pamundësitë për këtë ambicie mund t’i qartësojë vetëm Erioni, sikurse po bëj unë sot, duke rikonfirmuar se do të kandidoj si kandidati i pavarur në Vlorë.

A është ai një kandidat që bashkon apo përçan brenda PS?

Çdo garë që ka qëllime pozitive, asnjëherë nuk përçan, përveç tremb një pjesë të lidershipit të PS-së, që mund të bëjnë gjithçka për ta penguar.

Kush mendoni se ka më shumë gjasa të jetë kandidati zyrtar i PS-së për Tiranën?

Ndjesë, nuk mund të bëj analiza të brendshme kur kam shumë vite që jam më shumë se shumë larg nga prapaskenat dhe poshtërsitë e brendshme të një pjese të lidershipit të ‘Rilindjes’.

/Gazeta Panorama 


Send this to a friend