VOAL

VOAL

‘Ilvi Meta nuk kishte bluzë me kapuç dhe as lidhëse, doktori i paqartë për orën e vdekjes’

May 6, 2022
blank

Komentet

blank

Njihuni me ‘Aligatorin’- Ukrainasit po luftojnë me këtë armë monstruoze – Nga Jeanne Plaumann, BILD

 

Kjo pushkë e Forcave të Armatosura të Ukrainës është një përbindësh i vërtetë.

Emri: Snipex Alligator. Pesha: 35 kilogramë!

Me një gjatësi totale prej dy metrash, kjo pushkë e prodhimit ukrainas nuk është për njerëzit me nerva të dobëta.

-Me një kalibër prej 14.5 milimetra ajo mund të depërtojë një armaturë me trashësi prej një centimetër nga një distancë prej rreth 1.5 kilomtra. Kjo është e mjaftueshme për të depërtuar në armaturën e trashë të blindave rusë BTR-80.

-Predha fillimisht fluturon me një shpejtësi prej 980 metra në sekondë.

-Distanca standarde është rreth 2 mijë metra. Sipas prodhuesit, diapazoni maksimal i Aligatorit në versione të modifikuara më tej shkon deri në gjashtë kilometra. Goditjet e sigurta janë të mundshme deri në 2 kilometra.

Me fuqinë e saj të lartë depërtuese, pushka Aligator është projektuar për të luftuar automjetet, sistemet e mbrojtjes ajrore, bunkerët dhe në rrethana të caktuara edhe mjetet fluturuese.

Për të zbutur efektin zmbrapsës të kësaj mega-pushke ukrainase është instaluar një gojëz me katër-pesë dhomëza.

Në korrik të vitit 2020, prodhuesi ukrainas e prezantoi këtë armë për herë të parë. Në dhjetor të të njëjtit vit, Forcat e Armatosura Ukrainase e miratuan këtë armë.

Aktualisht përdoret në luftën kundër ushtrisë pushtuese të Rusisë. Nuk dihet se sa nga armët janë në përdorim efektiv në fushën e betejës.

blank

Në kujtim të Fahri Doçit – Nga ERMAL MULOSMANI

Me kalimin e viteve, lajmet e humbjeve të njerëzve të njohur, shpeshtohen; shumë prej të afërmve apo të njohurve që fati na i solli në jetën tonë, ndërrojnë jetë. Asnjëherë nuk i përcjell me indiferencë absolute, gjithmonë diçka lëviz brenda meje. Edhe kur i vdekuri është i largët apo me njohje të kufizuar, misteri i vdekjes, një nga preokupimet më të mëdha të jetës sime më kthehet, qoftë edhe për pak çaste…Çfarë ndodh me të vdekurin?!!!

Sot u ndamë me njërin prej njerëzve më interesantë që kam pasur rastin të njihja, mësuesin tim të kimisë së shkollës së mesme, Fahri Doçin. Për hir të mbresave që ka lënë ai njeri te unë e ndjeva si obligim moral të shkruaj dy rreshta sot, kur ai nuk është më.

Është shumë interesante sesi qyteza të vogla, të largëta e mes malesh, ku shpesh të kaplon trishtimi e mërzia, mbajnë brenda tyre njerëz të urtë, të mençur e dinjitarë. Ata i bën më të ndritshëm kontrasti me ambientin konformist, servilizmin dallkauk e intrigant, aq shumë i pranishëm në kohët e errëta të diktaturës.
*****
Fahriu ishte modeli që ne projektonim për veten. Fjalëpak e zëulët, dinjitar si pakkush, i pregatitur pofesionalisht, jashtë çdo klani apo grupimi, metodist i jashtëzakonshëm, kokëulur dhe i dashur njëkohësisht. Të gjithë e dinim se diçka nuk shkonte në biografinë e tij por pakkush e dinte se çfarë. Ai ishte, sipas meje, figura më autoritare e arsimit prej tridhjetëe ca vitesh në Tropojë. Por asnjëherë nuk u bë Drejtor i Gjimnazit apo i Arsimit. Nëndrejtor ishte limiti që sistemi ia kishte vënë dhe Fahriu e kishte pranuar pa asnjë pretendim. Por autoriteti i Fahriut tejkalonte ndjeshëm atë të Drejtorit…Të paktën për aq kohë sa isha unë në atë gjimnaz.

E mbaj mend gjithmonë me pallton e famshme ngjyrë vishnje të errët, me hap të shpejtë, rrugës kryesore të qytetit. Duhet të ketë kaluar mbi 10 vite me atë pallto. Kishte vetëm dy destinacione, drejt shkollës apo shtëpisë. Interesant, nuk e mbaj mend ndonjëherë në situata të zakonshme si radhë, xhiro, spektator sporti apo klient nëpër dyqane. Figurë unikale, e pangjashme me asnjë. Burrë i pashëm, me sy të butë e shikim të trishtë, ballë të lartë e mendim të thellë, ai e kishte të shkruar në portret mençurinë, dinjitetin dhe mirësinë.

Breza të tërë nxënësish e morën dashurinë për kiminë nga përkushtimi, serioziteti, didaktika dhe dashuria me të cilën Fahri Doçi e trajtonte atë lëndë. Duhej të ishe fare i paturp të shkoje i papregatitur kur shikoje përkushtimin e tij. Dukej si një lloj mosmirënjohjeje. Nxënësi që vlerësohej me një notë të ulët në një lëndë çfarëdo kishte predispozitën të gjente fajin te mësuesi. Në kimi, jo vetëm e gjente te vetja por kishte edhe një kompleks përpara presor Fahriut. I shmangeshim korridoreve nga turpi pse nuk u pregatitëm sa duhet…

E megjithatë ai ishte një njeri i mrekullueshëm! Për ta mbyllur po tregoj një detaj që më ka ndodhur në vitin 87, isha në vitin e tretë gjimnaz. Është fiks ajo koha që nxënësin e kap një vetëbesim, gjimnazi i duket si shtëpi, mosha të bën të përjetosh delire fluturake. Isha përpara shkollës, me dy tre shokë e po flisnim me zë të lartë, fjalë plot vulg e të qeshura të zhurmshme po aq sa të kota. Isha vetë protagonist i një sharjeje pa kuptim kur dëgjoj shokun tim të më bëjë një shenjë “Ule zërin”. Kthej kokën dhe shoh mësues Fahriun. Sa s’më ra pika nga turpi! Doja të zhdukesha në çast, me vrap. Por shtanga e nuk dija çtë bëja. Ai kishte qenë 1 metër larg meje e sharja ime mund të ishte dëgjuar edhe në qytet! I miri mësues, më hodhi dorën në qafë e më tha plot ngrohtësi: “Ermal, si je xhaxh, si ke kaluar?”

Më bëri edhe nja dy tri pyetje por unë nuk i mbaj mend. Ai ishte ndjerë po aq keq sa unë nga kapadaillëku im prej adoleshenti dhe po përpiqej ta kalonte atë situatë delicate. Më mbeti në mendje fjala “xhaxh”, një afërsi që synonte të tejkalonte drojen dhe sikletin tim. Folëm edhe pak, e, kur u ndamë, më afroi kokën në shenjë afërsie!
******
Fahri Doçi ishte ndër ato pak koordinata ku Tropoja orientohet. Përtej politikanëve apo figurave të tjera publike me bollëk. Ai bën pjesë në atë numër krejt të pakët figurash që i dhanë dinjitet, shkëlqim dhe iluminim gjithë Tropojës sa me mësimdhënien aq edhe me modelin e tij të njeriut. Qoftë i paharruar.

blank

Pas humbjes së rëndësishme strategjike të Lyman, Rusia riorganizohet në frontin jugor

Një tank rus i shkatërruar në rajonin e Kharkiv

Pas humbjes së rëndësishme strategjike të Lyman, Rusia riorganizohet duke hapur pasazhe në frontin jugor. Papa: “Të pushoni zjarrin dhe të kërkoni zgjidhje paqeje”

 

VOAL- Pas tërheqjes së trupave ruse nga qyteti i Lyman, Moska kthehet për të shfaqur disa suksese. Nga terreni, kreu rajonal i administratës ushtarake rajonale të Dnipropetrovsk, Valentyn Reznichenko, i cituar nga UNIAN raporton sot se trupat ruse kanë sulmuar rrethet e Nikopol dhe Kryvorizky gjatë gjithë natës.

Nga Kremlini, nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes njofton sot, përmes agjencisë Tass, se forcat e armatosura ruse kanë “refuzuar” një përpjekje të re të ukrainasve për të avancuar në tri drejtime të ndryshme, të gjitha në jug të Ukrainës. Zonat e prekura do të jenë në rajonin Nikalayv-Kryvyi, Zaporizhzhia dhe Mikolayv.

Në këto zona, për më tepër, forcat ruse në Ukrainë shkatërruan shtatë depozita raketash dhe municione të tjera artilerie të forcave të armatosura të Kievit; Kështu deklaroi Ministria ruse e Mbrojtjes. Depozitat, shkruan sërish qeveria e Moskës e cituar nga Tass, ishin në rajonet e Kharkiv, Nikolayv, Donetsk dhe Zaporizhzhia. Në Novaya Kaluga, në rajonin Kherson, vazhdon Kremlini, u shkatërrua një sistem raketor S-300.

Kënaqësia e Zelenskyt

Ndërkohë, konfirmohet pushtimi i Lyman: qyteti strategjik “është plotësisht i lirë nga trupat ruse”. Kështu komunikon sot, të dielën, Volodymir Zelensky përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, fitoren e rëndësishme të shënuar dje në rajonin e Donetskut. Ky është një hap shumë i rëndësishëm ushtarak përpara për Kievin, pasi qyteti ndërpret linjat ruse të furnizimit në frontin e Donbasit dhe midis fronteve lindore dhe jugore të Ukrainës.

I intervistuar nga Reuters, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Llyod Austin argumenton në lidhje me këtë se “pa ato rrugë lidhëse për rusët do të jetë më e vështirë” të organizohen, duke shprehur besimin në ecurinë e kundërofensive pas zhvillimeve të fundit. Përqendrimi strategjik i Lyman u përsërit përsëri nga Zelesky, i cili, duke falënderuar përkushtimin e ushtarëve ukrainas, e shpalli atë “nën kontrollin e plotë të ushtrisë” të Kievit.

Aneksimet ndjekin një program pragmatik

Ndërsa lufta përparon, Rusia vazhdon të riafirmojë ligjshmërinë e traktateve të fundit të aneksimit, të deklaruara edhe sot nga Gjykata Kushtetuese përmes faqes së saj të internetit. Do të ishin katër traktate dhe do të kishin të bënin me rajonet e Donetsk, Lugansk, Kherson dhe Zaporizhzhia. Aneksimi i rajoneve, i nënshkruar nga presidenti Putin dhe katër guvernatorët përkatës pro-rusë, “korrespondon me diktatet kushtetuese të Federatës Ruse”, pohon gjykata.

Megjithatë, deklaratat e fundit të aneksimit nuk duhet të jenë “mashtruese”, ato nuk janë prova të fuqisë. Ky është mendimi, i besuar medias ukrainase UNIAN, i Gennadiy Gudkov, një politikan rus dhe ish-kolonel i shërbimit të fshehtë të FSB-së në pension. “Putini nuk ka më kaq shumë ambicie dhe obsesione”, përkundrazi, “ai po e shpëton lëkurën e tij, sepse është i vetëdijshëm se lufta, nëse ende nuk është e humbur, ajo do të jetë”, thotë Gudkov. Aneksimet në fakt shërbejnë më shumë se çdo gjë tjetër për të krijuar “kushtet për një shantazh bërthamor në të ardhmen”, vazhdon ish-FSB, duke argumentuar se “nëse papritmas dikush sulmon Rusinë, […] Rusia më pas mund të përdorë armë bërthamore”.

Fjala e Papës

Ndërkohë, Papa Françesku vazhdon përpjekjet e tij për ndërmjetësim, duke rinovuar thirrjet e tij për paqe. “Lërini armët të mbyllin gojën dhe të kërkojnë kushtet për arritjen e negociatave të afta për të çuar drejt zgjidhjeve jo të imponuara me forcë, por të dakorduara, të drejta, të qëndrueshme”, tha ai sot në Angelus, duke ia kushtuar reflektimin e tij për lutjen mariane situatës në Ukrainë.

Më pas, Papa i drejtoi thirrjen e tij drejtpërdrejt Presidentit të Federatës Ruse “duke e lutur atë të ndalojë, edhe për dashurinë e popullit të tij, këtë spirale dhune dhe vdekjeje”. Megjithatë, duke aluduar në diplomaci, lutja për “të qenë e hapur ndaj propozimeve serioze të paqes” iu drejtua Presidentit Zelensky. rsi-eb

blank

Kryeministri “Santa Claus” i Québec dhe zgjedhjet e paracaktuara – Nga Taulant Dedja – Chambly, Québec

 

Personi që shihni në foto është kryeministri i Québec, François Legault, kryetari i partisë në mazhorancë prej katër vjetësh, që quhet “Koalicioni E ardhmja e Québec” (Coalition Avenir Québec). Akronimi i partisë është CAQ dhe mbështetësit e tij quhen “caquistes”. Kush di frengjisht, e di edhe si shqiptohet kjo fjalë.

Kush është François Legault

Legault është me profesion kontabilist dhe një nga bashkëthemeluesit e kompanisë kanadeze të fluturimeve “Air Transat”, të cilën e drejtoi deri në vitin 1997. Prej vitit 1998 ai hyri në politikë, i ftuar nga kryeministri indipendentist i Parti Québecois (PQ), Lucien Bouchard, direkt ministër e më pas deputet. Ka drejtuar si ministër Shëndetësinë dhe Arsimin në ato vite, sektorë që sot janë ende me shumë probleme.

Kur kujtoj këtë, them me vete, ç’mendon vërtet në kokën e vet kryeministri ynë për faktin që gati 1 milion qytetarë të provincës nuk kanë mjek familje dhe 59% e godinave të shkollave janë të vjetëruara. Nuk po hyj tek problematikat me të cilat ndeshet sektori i arsimit, apo te gjendja katastrofike me të cilën u përballën shtëpitë e të moshuarve në fillimet e pandemisë, aq sa iu bë thirrje ushtrisë të ndihmonte. Këto problematika i dinë dhe janë në gjendje t’i shpjegojnë shumë më mirë bashkatdhetarët tanë, që punojnë në këta sektorë.

Dua të sjell në vëmendje gjithashtu, që François Legault është i vetmi kryministër provincial që i mbylli me detyrim gjatë pandemisë nga darka në mëngjes në shtëpi qytetarët e vet. Ai ia besoi administrimin e pandemisë dhe bërjen e planit të masave për kapërcimin e krizës një firme private, McKinsey, me të cilën këshillohej vetëm ai dhe “entourage” i tij i ngushtë, firmë e cila vetëm në periudhën prill-qershor 2020 është paguar 35,000 dollarë në ditë. Në total kjo firmë u ka kushtuar taksapaguesve të Québec 6,6 milionë dollarë. A thua nuk kishte shteti specialistë të aftë për ta këshilluar qeverinë? Sigurisht që po dhe angazhimi i privatëve, sipas meje, por jo vetëm, ishte mungesë totale respekti ndaj atyre që ia kanë përkushtuar karrierën shërbimit publik.

Për t’iu rikthyer edhe njëherë profilit të tij politik, pas 5 vitesh deputet në opozitë dhe konfliktit me Pauline Marois, liderja e PQ që arriti të bëhej kryeministre më pas, François Legault u tërhoq nga politika më 2009, sepse nuk besonte më tek projekti për pavarësinë e Québec. Ai rikthehet më 2012 në politikë, tashmë në krye të CAQ duke arritur të marrë si parti 27% të votave e duke u renditur partia e tretë pas PQ dhe Liberalëve. Në zgjedhjet e dy viteve më vonë, 2014, CAQ merr 23% duke ruajtur statusin e opozitës së dytë zyrtare.

2018 do jetë viti i realizimit të ambicjes politike të François Legault, e cila përflitej qysh në kohën kur ishte në radhët e PQ dhe diskutohej në kulisa si pasardhësi i kryeministrit indipendentist Bernard Landry. Kësaj radhe ambicia do të realizohej nën petkun e një nacionalisti pragmatist brenda Kanadasë federatë, për te cilën ai pretendon një rrugë të tretë (më shumë transferta dhe kompetenca për provincat)

Gjatë fushatës për zgjedhjet e 1 tetorit 2018, ai paraqiti një diskurs nacionalist, i fokusuar në mbrojtjen e vlerave të Québec, veçanërisht duke propozuar një reduktim prej 20% të imigracionit në provincë dhe imponimin e një testi vlerash për emigrantët, për të provuar integrimin e tyre të suksesshëm. Në përfundim të saj CAQ arriti të zgjedhë 74 deputetë nga gjithsej 125 dhe qeveris vetëm prej katër vitesh.

Zgjedhje të paracaktuara

Zakonisht, çdo mandat qeveritar i konsumon mazhorancat. Shembulli i provincave kanadeze, veçanërisht Ontario dhe Québec ka dëshmuar katër vitet e fundit të kundërtën, sepse sistemi mazhoritar me një tur i penalizon partitë që renditen pas partisë së parë. P.sh. në Ontario, në zgjedhjet e fundit këtë verë, Konservatorët nga 76 që kishin në legjislaturën e kaluar, këtë vit zgjodhën 84 deputetë nga 124 gjithsej. Pra pësuan rritje. NDP e renditur e treta me votë të përgjithshme, arriti të zgjedhë 31 deputetë, ndërsa Liberalët morën vetëm 8 deputetë, edhe pse u renditën të dytët në vota të përgjithshme.

I njëjti skenar pritet të përsëritet edhe në Québec, madje në version më të keq. Ndërkohë që një nga premtimet e pambajtura të kryeministrit Legault ishte ndryshimi i sistemit zgjedhor. Madje kësaj here ai me cinizëm u shpreh gjatë fushatës, që kjo temë tani nuk përbën shqetësim veçse për disa intelektualë, sepse qytetarëve që udhëtojnë në mjetet e transportit publik nuk u shkon mendja fare për të.

Problemi i këtyre zgjedhjeve është se vota do ndahet për herë të parë në pesë parti. Sipas sondazheve të fundit CAQ i François Legault mund të marrë rreth 38% të votave, Liberalët e Dominique Anglade 17%, Québec Solidaire i Gabriel Nadeau-Dubois 15%, Indipendentistët (PQ) e Paul Saint-Pierre Plamondon 15% dhe Konservatorët et Eric Duhaime 14%.

Me sistemin aktual, përveç ndofta njërit, Gabriel Nadeau-Dubois (ish-lideri i Lëvizjes Studentore që rrëzoi nga pushteti më 2012 kryeministrin Liberal Jean Charest) që thuajse e ka të sigurt rizgjedhjen në zonën e tij, tre liderët e tjerë të partive opozitare rrezikojnë të mos zgjidhen as deputetë. Ka madje analistë që parashikojnë që partia e kryeministrit aktual mund të fitojë gati 100 vende, nga 125 gjithsej.

Nëse ky parashikim do të realizohet kjo nuk është aspak e shëndetshme për demokracinë. Një shoqëri multikulturale ka nevojë për më shumë ekuilbër dhe konsensus politik, aq me tepër që situata ekonomike me inflacionin e lartë si asnjehërë prej tri dekadash e ka vështirësuar mjaft jetesën e përditshme të shumicës dërrmuese të qytetarëve të provincës. Njëherazi, përbërja e parlamentin duhet të reflektojë edhe përqindjen e votës popullore, çka sipas asaj që përmenda më lart, aktualisht është thuajse e pamundur. Probabiliteti për ndonjë surprize është thuajse zero.

Diskursi i mazhorancës kundër imigrantëve

Sipas meje, François Legault, pas kaq vitesh në politikë, e meriton plotësisht edhe epitetin “dhelpër”. Se që është cinik dhe arrogant kjo pak a shumë dihet. Të paktën për atë kategori qytetarësh që nuk sugjestionohen kollaj nga politikanët e tipit të tij, tek të cilët gjuha non-verbale e Legault bie lehtë në sy.

Në këtë fushatë që u mbyll dje, ai me shumë marifet e devijoi debatin kryesor nga ekonomia dhe inflacioni (për mua si votues dhe besoj për shumë si unë, problemi kryesor mbetet sa është fuqia jonë blerëse në kushtet aktuale në raport me ato që na hyjnë llogari çdo muaj) apo gjendja skandaloze në sistemin shëndetësor, tek tema e imigracionit, që nuk duhet të kalojë sipas tij shifrën e 50,000 të ardhurve në vit edhe pse mungesa e fuqisë punëtore po ndikon negativisht në ekonominë e provincës. Po kështu i mëshoi fort “fatit të gjuhës frengjisht” në Québec, numri përdoruesve të të cilës ka rënë. Kaq mjafton pë të ndezur “zjarrin” e nacionalizmit dhe sipas meje është një kalkulim i ftohtë për të tërhequr sa më shumë nga vota e frankofonëve.

Personalisht edhe mua, si frankofon që e ka zgjedhur Québec për shkak të gjuhës, më duket me shumë rëndësi ruajtja e gjuhës frënge, por kjo nuk bëhet duke limituar imigracionin dhe as me teste vlerash, së të gjithë kombet, kudo në botë vlerat themelore i kanë të njëjta. Ndofta dukem cinik, por do preferoja që më shumë të rinj frankofonë, para se të merren me rritje kafshësh (që edhe vetë i dua) të merren me rritje fëmijësh, se një nga elementët e rëndësishëm për prosperitetin e një kombi është edhe ruajtja e ritmeve optimale të natalitetit për ta rigjeneruar shoqërinë dhe për të frenuar plakjen. Këtë e kanë kuptuar mirë autoktonët e Kanadasë që po rriten nga viti në vit në numër.

Nuk mund të rri pa veçuar dhe disa fakte shqetësuese nga kjo fushatë sa i takon temës së imigrantëve. Edhe pse kryeministri Legault është përpjekur të jutifikohet për gafat e tij apo të ministrit të tij në detyrë të Imigracionit Jean Boulet, unë nga kjo fushatë kam të ngulitur në kokë që Legault imigrantët i konsideroi si njerëz që sjellin konflikte në Québec. Ai kërkoi falje më pas dhe pretendoi që u keqkuptua, por a mund ta besoj? Ai deklaroi se të rrisësh mbi 50,000 numrin e imigrantëve në Québec, kjo do të ishte një lloj vetvrasjeje për provincën. Para se të mendojë në këtë mënyrë, ai duhet të gjejë zgjidhje për uljen e mungesës së krahut të punës veçanërisht në sektorë kritikë dhe për kushte më të mira integrimi për të sapoardhurit. Ekonomia dhe frankofonia duhet të mbrohen paralelisht.

Dhe më në fund për këtë temë, diskursi më skandaloz dhe krejt i gënjeshtërt, madje fyes deri në ekstrem për të gjithë ne si imigrantë të natyralizuar, do më mbetet në kujtesë ai i Ministrit të Imigracionit, Boulet, i cili fjalë për fjalë deklaroi në fushatë: “80% e imigrantëve që vijnë në provincë shkojnë në Montréal, nuk punojnë dhe nuk integrohen me vlerat e Québec”. Atyre që më lexojnë, po ua lë ta gjejnë vetë epitetin që meriton ky palo minister Imigracioni.  Për fat të keq, kryeministri ynë, që hiqet si babai i kombit të Québec, nuk e shkarkoi në vend edhe si ministër edhe si kandidat për deputet Jean Boulet, por u mjaftua të thotë, që pas zgjedhjeve ai nuk do jetë pjesë e kabinetit të tij.

Legault, “Santa Claus” i vitit 2022

Mbrëmë në rrjetin Facebook, dëgjova dhe mesazhin e fundit të filmuar të babait tonë të kombit, slogani elektoral i të cilit është “Vazhdojmë”…

Babai i kombit u drejtohej votuesve duke u thënë ndër të tjera: “Ju mund të mbështeteni te unë, por edhe unë kam nevojë të mbështetem te ju. Në dhjetor të gjithë do merrni nga një çek 400 deri në 600 dollarë ndërsa pensionistët 2000 dollarë më shumë. Votoni për mua.” Për dreq se ç’mu kujtuan dhe zgjedhjet e vjetshme në vendin ku më ka rënur koka…

Nuk durova dot pa bërë koment. E para herë që komentoja në faqen zyrtare të një politikani. I thashë vetëm kaq: Z. Legault a mos ju duket vetja Santa-Claus që premtoni çeqe dhuratë për Krishtlindje”?

Sigurisht votën time kundër ai e mori qysh të dielën e kaluar, ditën e votimeve paraprake.

blank

©Taulant Dedja

blank

Investigimi- BIRN: Kompania e lidhur me zyrtarin e PS ndërtoi kate pallati ‘pa leje’ në zemër të Tiranës

Mazhoranca po përpiqet të mbulojë me një fushatë dezinformimi faktin se ndërtuesit e kateve pa leje në kullat e Tiranës – të cilët ajo i ka përfshirë në një skemë legalizimi dhe amnistie penale përmes një VKM-je me bazë të dyshimtë ligjore, janë njerëz të lidhur me pushtetin.

Fushata e debatueshme e qeverisë në denoncimin e shtesave pa leje në kullat e ndërtuara në Tiranë vijoi të premten me denoncimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi te një pallat 13-katësh pranë rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë.

Nëpërmjet një video të regjistruar, por që u transmetua sikur ishte ‘live’ në faqen e kryeministrit Edi Rama në ‘Facebook’, Çuçi i shoqëruar nga drejtuesja e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici dhe drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Rebani Jaupi tha se çdo metër pa leje i pallatit në fjalë do t’i kthehet popullit.

 

“Ky subjekt, jo vetëm ka kate pa leje, por ka dhe një ndryshim skandaloz të projektit nga ai i miratuari më përpara,” tha Çuçi me pallatin në sfond.

blank

“Kjo që po bëjmë nuk është një fushatë mediatike apo demagogji”, pretendoi ai më tej ne video.

 

Pas shfaqjes live në Facebook, BIRN vizitoi sheshin e pallatit me 11 kate plus dy kate papafingo të denoncuar si skenë krimi, por në vend të policisë, aty kishte vetëm punëtorë ndërtimi.

 

Sheshi i zbrazur për të bërë videon ishte mbushur sërish me makina të parkuara, ndërsa nga brenda ndërtesës oshëtinte zhurma e makinerive të ndërtimit. Në një shesh të dytë, punëtorët e krahut vazhdonin të bënin llaç të pashqetësuar.

 

Serioziteti i fushatës që bazohet në një Vendimi të Këshillit të Ministrave të 7 shtatorit është vënë në dyshim nga opozita dhe ekspertët, të cilët akuzojnë qeverinë se synon në fakt amnistimin penal të ndërtuesve pranë qeverisë, duke shkelur si Kodin Penal ashtu edhe Kushtetutën.

 

Rasti i fundit i denoncuar nga Çuçi duket se u jep të drejtë pretendimeve të opozitës.

blank

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pallati i denoncuar nga ministri i Brendshëm në zonën e “Myslym Shyrit” është ndërtuar nga “ARB & TRANS-2010”; një kompani e themeluar nga Arben Maloku, 36 vjeç, i cili deri në 9 shtator 2022 mbante funksionin e kryetarit të njësisë administrative të Zall-Herr të bashkisë së Tiranës dhe është kryetar i Partisë Socialiste në të njëjtën njësi administrative.

Të pyetur nga BIRN nëse ndaj “ARB & TRANS-2010” ishte bërë kallëzim penal pas konstatimit të shkeljeve ligjore, Bledi Çuçi, Policia e Shtetit dhe Dallëndyshe Bici nuk kthyen përgjigje. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, po ashtu nuk ktheu përgjigje për lidhjen e ish-zyrtarit të bashkisë me katet pa leje në kryeqytet dhe mungesën e referimeve nga institucionet në varësi të tij për këtë ndërtim.

Ndërsa përfaqësuesja e “ARB & TRANS-2010”, Esmeralda Maloku pranoi se ishte në dijeni të deklaratave të Ministrit të Brendshëm, por theksoi se ajo nuk mund të thoshte se çfarë qëndrimi do të mbante kompania.

Guximtari i PS-së

blank
Kryetari i PS për Zall Herrin, Arben Maloku bashkë me kryebashkiakun Veliaj dhe deputetin Xhemal Qefalia. Foto nga Partia Socialiste Zall Herr.

Në lejen e ndërtimit të lëshuar nga Bashkia Tiranë, pallati i kompanisë “ARB & TRANS-2010” në rrugën “Myslym Shyri” përshkruhet si “Godinë banimi dhe shërbime 4 dhe 5-9 kate, me dy kate parkim dhe shërbime nëntokë”.

Ndërsa denoncoi objektin, që sipas tij jo vetëm kishte shtuar kate, por kishte dalë tërësisht jashtë projektit, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi e quajti ndërtuesin ‘guximtar’.

Sipas tij, guximi për aventura vinte për shkak të “drejtësisë së vjetër” që nuk i hetonte dhe ndiqte penalisht shkelësit e ligjit.

Por ndryshe nga sa deklaroi ministri me zë dhe figurë, ky ndërtim nuk është denoncuar në prokurori nga institucionet në varësi të Çuçit, si IKMT-ja dhe Policia e Shtetit dhe as nga ato në varësi të Bashkisë së Tiranës, që duhej të monitoronin zbatimin e lejes së ndërtimit të lëshuar prej tyre.

Në deklaratën për video mesazhin propagandues, Çuçi nuk e përmendi as pronarin dhe as emrin e kompanisë që kishte kryer shkeljet ligjore të pretenduara.

Kompania ‘ARB & TRANS-2010’ që ka kryer ndërtimin është themeluar nga Arben Maloku në vitin 2010. Në vitin 2018, Maloku ia shiti aksionet vjehrrit të tij, Fatmir Firit për 100 mijë lekë, ndërsa në tetor 2021, ky i fundit ia dhuroi aksionet babait të Arbenit, Shyqyri Maloku.

Ndërsa kompania ndodhej në pronësi të të afërmve të zyrtarit bashkiak, ajo mori leje ndërtimi dhe mbi 150 milionë lekë në tendera për punë publike nga Bashkia e Tiranës gjatë viteve 2019-2022. Në listën e tenderave të fituar përfshihet edhe ndërtimi i një rrjeti ujësjellësi në fshatin Qinam, në njësinë administrative që drejtonte vetë Maloku.

Edhe pas largimit nga drejtimi i njësisë administrative Zall-Herr, Maloku shfaqet i afërt me përfaqësuesit e lartë të socialistëve në Tiranë dhe kryebashkiakun Erion Veliaj.

Më 9 shtator, Maloku ishte një hap pas kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Veliaj gjatë ceremonisë së inaugurimit të një lagjeje të re në Zall-Herr, ndërtuar për familjet e mbetura pa strehë nga tërmeti i vitit 2019.

Në ceremoninë e inaugurimit, deputeti i PS-së për zonën, Xhemal Qefalia u kujdes ta veçonte Malokun mes atyre që duheshin falënderuar “për punë të palodhur”. Qefalia, në videon e postuar në Facebook nga Erion Veliaj, pasi përmend largimin nga detyra të administratorit, shtoi se Malokut i ishte dhënë “një detyrë akoma më e rëndësishme”.

Menjëherë pas Qefalisë, edhe kryebashkiaku Veliaj e veçoi Malokun në falënderime, madje të dytin pas kryeministrit Edi Rama, ndërsa kujtoi udhëtimet që kishin bërë deri në kufijtë “e largët” të Bashkisë së Tiranës.

“Bashkë me Ben Malokun që dua ta përshëndes me gjithë zemër”, tha Veliaj.

Kompania e themeluar prej Malokut është denoncuar nga opozita si e përfshirë në prishjen e debatueshme të Teatrit Kombëtar në Tiranë në maj 2020.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi në 21 maj 2020, se mjetet e kompanisë ARB & TRANS-2010, janë përdorur pa tender për të pastruar inertet pas shembjes së Teatrit.

“Cilën kullë të radhës do ju japi këtyre kompanive për ndërtim si përgëzim për punën e palodhur në shembjen e Teatrit Kombëtar?”, shkroi Zhupa, që më pas e lidhi kompaninë me emrin e Malokut, i cili ishte në atë kohë administrator në Zall-Herr.

Drejtësi e vjetër, akuza të reja

blank
Tabela e lejes së ndërtimit pranë pallatit të denoncuar për ndërtim katesh shtesë. Foto: Vladimir Karaj.

Në fillim të shtatorit, qeveria miratoi një VKM, sipas së cilës katet e ndërtuara pa leje ose dhurohen në këmbim të legalizimit të godinës, ose paguhen nga ndërtuesit me çmimin e tregut, plus një masë administrative. Në këmbim, vetë kryeministri dhe ministrat u kanë premtuar ndërtuesve se nuk do të ndiqen penalisht.

Por opozita dhe ekspertët mendojnë se ndërsa vendimi forcon sanksionet administrative, ai në thelb është një një përpjekje nga qeveria për të amnistuar veprat penale të ndërtuesve pranë saj, të cilët rrezikojnë sipas Kodit Penal deri në 8 vjet burg për ndërtimet e paligjshme me qëllim fitimi.

Për t’u mbrojtur nga këto akuza, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, sulmuan të premten Prokurorinë e Tiranës, duke aluduar se VKM-ja ishte një zgjidhje për shkak se kjo e fundit nuk kishte vepruar.

“Kur u vijnë dosje nga subjekte të kamura për evazion fiskal, për ndërtim pa leje, për krime të tjera, e shohin si një mundësi për të pasuruar xhepat e tyre”, tha ministri Çuçi në videomesazhin e filmuar pranë rrugës “Myslym Shyri”.

Çuçi theksoi se ndërsa institucionet në varësi të tij kishin përgjegjësi, barra më e madhe binte mbi drejtësinë, por nuk shqiptoi ndonjë rast konkret të mosveprimit.

Por kryeprokurori i Tiranës, Arens Çela i tha BIRN se për sa kohë ai drejtonte prokurorinë, nuk ka pasur raste të tilla. Çela tha gjithashtu se të gjitha çështjet e denoncuara publikisht nga anëtarët e qeverisë “janë nën hetim nga prokuroria”.

Kryeministri deklaroi të enjten se ishte nënshkruar kontrata e parë e dhurimit nga një ndërtues në favor të shtetit bazuar në VKM-në e shtatorit, për rreth 4600 metra katrorë të ndërtuara pa leje në qendër të Tiranës. Një ditë më vonë, ai këmbënguli se mosreagimi i prokurorisë për këtë rast ishte arsyeja për miratimin VKM-së nga qeveria.

Rama paraqiti dy fletë të një denoncimi nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, në të cilat pretendohet se kompania ‘Ideal Construction’, me ortak të vetëm biznesmenin Armand Lilo, ka shkelur lejen e ndërtimit dhe se duhej të procedohej penalisht.

Kompania në fjalë po ndërton kullën e pagëzuar si “Eye of Tirana” në afërsi të sheshit “Skënderbej”. Denoncimi mban datën 1 korrik 2022, por Rama i referohet se ka ndodhur “kohë më parë”.

“Dhe ky nuk është i vetmi rast, por rasti që derdhi kupën e durimit me drejtësinë, në raport me parellinjtë e llojllojshëm, kapur me presh në duar tërë këto vite nga Policia e Shtetit, Tatimet e Doganat apo Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, por kthyer në burime të ardhurash për të korruptuarit e drejtësisë”, tha kryeministri në deklaratën e tij.

Ndryshe nga sa aludoi Rama, prokurori i Tiranës, Arens Çela i tha BIRN se rasti i kullës “Eye of Tirana’ dhe kallëzimi i IKMT-së ishin duke u hetuar.

“Edhe ky rast është në hetim si të gjithë rastet e tjera,” tha Çela, ndërsa shtoi se nuk donte të përfshihej në debatet politike.

I pyetur për akuzat dhe sulmet e përfaqësuesve të qeverisë ndaj organit të akuzës, drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla nuk iu përgjigj një kërkese të BIRN për koment./Birn

blank

Monumentet e periudhës sovjetike po kthehen në fantazma

Teodora Barzakova

Në Plovdiv, qytetin e dytë më të madh të Bullgarisë, zor se mund të shmangësh një statujë 11 metra të gjatë.

E emërtuar Alyosha, një prej shprehjeve që janë përdorur për të përshkruar ushtarët sovjetikë, kjo figurë gjigante nderon pjesëtarët e Ushtrisë së Kuqe, të cilët kanë luftuar në Bullgari gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Disa burime, duke përfshirë Ministrinë e Jashtme të Rusisë, pretendojnë se Alyosha bazohet në fotografinë e një ushtari të vërtetë rus, i cili ka luftuar atëbotë për Bullgarinë.

 

Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të këtij viti, monumentet e periudhës sovjetike në lindje të Evropës kanë marrë vëmendje të re, pasi disa prej tyre që nderojnë Ushtrinë e Kuqe, janë rrëzuar në Poloni dhe Letoni.

Artisti francez, Mitch Brezunek e ka gjetur një mënyrë të re dhe unike për t’u përballur me të kaluarën: duke e kthyer Alyosha-n në fantazmë.

Ndërhyrjet digjitale janë pjesë e ekspozitës së tij, “Fantazma është këtu”, e cila është hapur më 9 shtator në Plovdiv.

Në kohën e regjimit komunist, monumentet e Ushtrisë së Kuqe janë ndërtuar në Bullgari, për të nderuar ushtarët sovjetikë për rolin që kanë luajtur në mposhtjen e Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Ato janë konsideruar simbole të miqësisë bullgaro-sovjetike, ndonëse Ushtria e Kuqe ka pushtuar Bullgarinë, dhe Bashkimi Sovjetik i ka shpallur luftë shtetit më 1944.

Brezunek ka bërë transformim digjital të monumentit për ushtrinë sovjetike në Sofje.

Pas rënies së komunizmit, monumentet sovjetike dhe pllakat tjera përkujtimore, kanë qenë temë diskutimi për të kaluarën në gjithë ish-bllokun lindor.

Të zemëruar me pushtimin sovjetik dhe intervenimet tjera ushtarake ruse, shumë persona kanë bërë thirrje që monumentet të hiqen – kërkesa që kanë zemëruar zyrtarët rusë dhe kanë çuar në përplasje diplomatike.

Ka pasur edhe tentime për të ulur poshtë Ayosha-n, mirëpo asnjëra prej tyre nuk ka pasur sukses.

Kur Estonia ka hequr një përmendore të Luftës së Dytë Botërore nga qendra e qytetit Tallin më 2007, në qytet kanë shpërthyer trazira dhe shteti është përballur me sulme masive kibernetike, për të cilat më pas ka fajësuar hakerët rusë.

Monumenti “Oligarkët”, në Varna mbi të është vënë një jaht luksoz.

I lindur në Francë më 1989, artisti Brezunek ka punuar dhe jetuar në Plovdiv prej vitit 2016.

Prej kur ka nisur të jetojë në Bullgari, dhe të mësojë për këtë shtet, përmendoret kanë qenë një prej interesave të tij.

“Këto monumente janë gjithandej. Ato nuk mund t’i shmangësh kurrë për shkak të madhësisë dhe lokacionit. Në Plovdiv, shembull, Alyosha e dominon qytetin dhe qiellin”, ka thënë francezi për Radion Evropa e Lirë.

“Është e pamundshme që të mos e pyesësh veten secilën herë që e sheh monumentin: Pse është këtu? Si ka përfunduar këtu, çfarë mesazhi po përçon?”

Në ekspozitën e tij, Brezunek ndryshon në mënyrë digjitale fotografitë e 12 monumenteve sovjetike që janë nëpër qytetet e Bullgarisë.

Sipas artistit, transformimet e tyre nuk dërgojnë mesazh vetëm për të kaluarën, por janë edhe reflektim i të tashmes së Bullgarisë si anëtare e Bashkimit Evropian.

Monumentet janë afër nesh për një arsye, ka thënë Brezunek, “për të na kujtuar të kaluarën dhe gabimet që kemi bërë”.

“A mund të mësojmë nga hapat e gabuar të së kaluarës dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë? Fantazmat janë këtu për të na kujtuar se historia shpesh e përsërit veten”, ka thënë Brezunek.

 

Pjesë kryesore e ekspozitës është një ekran 7.5 metra i gjatë, në të cilin Alyosha është e zvogëluar dhe transformohet në fantazmë gjigante.

Monumente tjera të Ushtrisë së Kuqe që Brezunek i ka transformuar gjenden në Sofje, Varna, Dobriç, Burgas, Stara Zagora e tjera.

Të bëra bashkë, ato formojnë elementin e fundit të ekspozitës, një hartë digjitale tredimensionale (3D), e cila sipas fjalëve të artistit, shpërfaq “dy fytyrat e Bullgarisë”.

Në njërën anë është e kaluara, monumentet e ushtrisë sovjetike, ndërsa në tjetrën “e tashmja, anëtarësimi i Bullgarisë në Bashkimin Evropian”.

Brezunek e ka përdorur artin e tij për të mbledhur para për Ukrainën, e cila është duke luftuar forcat ruse prej 24 shkurtit.

Një video-animacion në formatin 3D, në të cilin Alyosha shihet duke u shndërruar në fantazmë, është duke u shituar online.

Sipas organizatorëve të ekspozitës, çdo javë deri më 9 nëntor, secili punim 3D do të shitet dhe 70 për qind e të hyrave do të shkojnë për mbështetje të artistëve dhe ngjarjeve kulturore që zhvillohen në Ukrainë dhe Bullgari.

Sipas Brezunek, punimet digjitale janë vetëm faza e parë e projektit dhe më 2023, ai është duke planifikuar një instalacion te monumenti i Alyosha-s.

“Do të doja shumë që ta shihja Alyosha-n në një qefin të artë”, ka thënë ai.

 

Data 9 shtator – që Brezunek ka vendosur të hapë ekspozitën – nuk ka qenë aksidentale.

Katër ditë më herët, më 1944, Bashkimi Sovjetik i ka shpallur luftë Bullgarisë.

Më 9 shtator të atij viti ka pasur puç dhe Qeveria e Konstantin Muravievit është rrëzuar.

Lëvizja pro-komuniste e rezistencës, Fronti i Atdheut, ka ardhur në pushtet, duke shënuar fillimin e regjimit komunist në Bullgari.

Kjo parti ka qenë më pas në pushtet deri më 1989.
Përgatiti: Krenare Cubolli

blank

“Parajsa e grupeve kriminale”- Si arriti mafia shqiptare në Ekuador?

Organizatat kriminale shqiptare kanë shqetësuar autoritetet e huaja. Herë pas here përballemi me artikuj që zbulojnë shqiptarë të kapur, pasi janë përfshirë në trafikun e drogës dhe jo vetëm. Së fundmi mediat spanjolle pasqyrojnë rrugëtimin e mafies shqiptare në Ekuador, ndërsa shtrojnë pyetjen; Si arriti mafia shqiptare deri aty?

Më tej artikulli vijon: Pesë faktorë shpjegojnë arsyet se përse vendi në 10 vitet e fundit është kthyer në një parajsë për mafiozët: shqiptarë, italianë, rusë, kinezë… Këto grupe të krimit të organizuar, jo vetëm që veprojnë për trafik droge, por kanë ndërmarrë edhe aktivitete të tjera të paligjshme. Ata janë ndër aktorët që gjenerojnë përhapjen e pazakontë të dhunës që trondit Guayaquil.

Ishte 15 shtator 2020. Pas pesë vitesh hetime në 10 vende, u zbulua një “tubacion kokaine” midis Amerikës Latine dhe Evropës.

blank

 

Njëzet persona u arrestuan në Itali, Holandë, Gjermani, Greqi, Rumani, Hungari, Spanjë, Shqipëri dhe Dubai.

 

 

Për policinë italiane, e cila kreu hetimin me Prokurorinë e Firences (Procura della Repubblica di Firenze), ishte një operacion i paprecedentë, sipas agjencisë policore të Bashkimit Evropian, Europol .

blank

 

Kjo do të raportohej si goditja më e madhe ndaj një strukture të drejtuar nga një organizatë kriminale me origjinë shqiptare .

blank

 

Fronti i organizatës ishte “Kompania Bello”. Ishte hera e parë që u konstatua se i gjithë zinxhiri i operacioneve të lidhura me transportin e drogës ishte në duart e së njëjtës strukturë.

blank

 

Janë sekuestruar katër ton kokainë dhe 5.5 milionë paund para. 

blank

 

Mekanizmi për pastrimin e aseteve ishte kompleks. Ai konsistonte në përdorimin e një sistemi me origjinë kineze, i njohur si (fei ch’ien), i cili nuk lë asnjë të dhënë, njoftoi Europol.

blank

 

Por surpriza ishte akoma më e madhe.

Organizatori i trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave në këtë grup ishte një shqiptar 40-vjeçar i arrestuar në Ekuador.

Është bërë e ditur nga shtypi italian dhe shqiptar, me shumë detaje. “ Kapoja e padiskutueshme; Shqiptari fshihet pas tubacionit të kokainës në Evropë”, titullohej artikulli i media Balkan Insight.

Ajo citon burime zyrtare italiane, sipas të cilave shqiptari Dritan Rexhepi ka drejtuar gjithçka.

I arrestuar në Quito në qershor të vitit 2014, pas një operacioni ku u sekuestruan 278 kilogramë kokainë, Rexhepi po vuan dënimin me 13 vjet burg në qendrën e paraburgimit në Cotopaxi.

Drejtësia e Shqipërisë dhe Italisë kërkuan ekstradim. Shqipëria e akuzon atë se ka urdhëruar rrëmbimin e një 49-vjeçari në pjesën qendrore të atij vendi; Supozohet se ishte një llogari për humbjen e një ngarkese droge. Ai do të kishte organizuar gjithçka nga celulari i tij.

 

FASADA E BIZNESEVE:

Praktika më e zakonshme e drejtuesve të organizatave kriminale është të veprojnë nën maskën e sipërmarrësve.

“Disa emisarë në vende si Ekuador nuk kursehen në shfaqjen e stileve të jetesës luksoze. Shfaqen si biznesmenë të suksesshëm, që mbërrijnë në hotele të shtrenjta, shkojnë në qendra ekskluzive dhe palestra që presin njerëz të pasur ”, tregon një gazetar shqiptar që heton veprimet e mafies dhe depërtimin e tyre në Amerikën Latine, shkruan media spanjolle.

Organizatat ballkanike shpesh dërgojnë kokainën në ngarkesa me fruta, veçanërisht banane.

Në mes të shkurtit u gjetën shtatë ton drogë, të cilat në një kontejner ishin nisur drejt Belgjikës, sipas Drejtorisë Kundër Narkotikëve të Policisë.

Burime antinarkotike nuk përjashtojnë zbulimin makabër të dy trupave të varure një ure në Durán mund të lidhet me atë ose konfiskime të tjera.

Në ato ditë u gjet një kokë në Machala dhe një hipotezë është se ky ekzekutim lidhej me një sekuestrim në atë port.

Drejtoria e Policisë Kundër Narkotikëve, e cila ishte në krye të gjeneralit Giovanni Ponce, ka arritur një rekord në sekuestrimin e drogës që nga viti 2021; strukturat fillojnë të pësojnë goditje, pasi dërgesat e tyre të drogës janë të frustruar.

Mafia italiane (Ndrangheta e frikshme e Kalabrisë) shpesh kamuflon dërgesat e tyre të drogës në ushqime deti.

Këto organizata me origjinë italiane kishin lidhje me Forcat e Bashkuara vetëmbrojtëse të Kolumbisë (AUC), të cilat që nga viti 2006 u atomizuan në fraksione të ndryshme, si Los Urabeños, i cili më vonë u bë i njohur si Clan del Golfo; dhe, Los Rastrojos, i referohet studimit “Visionet e kokainës, tregtia e paligjshme nga Amerika Latine në Evropë”, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Europol, botuar në vitin 2021.

“Po përjetojmë ‘ efektin e kacabusë ’, pra atomizimin e grupeve të krimit të organizuar”, tregon një agjent antinarkotik.

Kushtet specifike që përjetoi Ekuadori që nga viti 2012 favorizuan ardhjen e organizatave kriminale, të cilat kur përshkallëzohen në rrezik, duke u futur në krime të tjera dhe duke u kthyer në organizata mafioze.

Më herët media prestigjoze amerikane The Wall Street Journal i ka kushtuar një artikull të zgjerduar narko-trafikantit shqiptar, Drtian Rexhepi, pasqyruar edhe nga “BalkanWeb”.

(LEXO KËTU)

Në artikull thuhej se Dritan Rexhepi ndodhej i strehuar në një burg në Ekuador, ku kishte dyshime të forta se ai një pjesë të mirë të porosive i ka kryer nga brenda mureve të burgut dhe këtë e bënte me anë të një telefoni celular.

(BalkanWeb)

blank

QEVERIA MELONI: ATO PIKA THEMELORE- Nga ANTONIO POLITO – Përktheu Eugjen Merlika

 

Italianët kanë vendosur t’i japin besim Xhorxha Melonit, apo janë zbuluar papritmas të së djathtës skajore (“far right”, siç shkruan Washington Post)? A na presin kohë me uniforma shajaku, apo në rastin më të mirë ala Orbán? Apo demokracia e jonë është mjaft e qëndrueshme sa t’i lejojë votuesve të zgjedhin qeverinë që duan pa rrezikuar hapa në tym apo mbrapa në histori?

Për t’i u përgjigjur këtyre pyetjeve, që shqetësojnë shumë italianë dhe ndezin shtypin e huaj, duhet para së gjithash të pyesim kush janë zgjedhësit që kanë votuar për herë të parë Xhorxha Melonin (shumë, po të mbajmë parasysh se tetë vite më parë mori vetëm 4,3 %). Bëhet fjalë në pjesën më të madhe të valëve simbas përimtimeve të rrjedhjeve, për vota t’ardhura nga Lega apo Pesë Yjet. Nuk mund të përjashtohet që shumë prej tyre të kenë votuar Rencin në Evropianet e vitit 2014. Secili nga sukseset zgjedhore që tashmë përsëriten në seri, për t’u shfryrë më pas me po të njëjtën shpejtësi, shënon një zhvendosje të një mase votash që prej kohësh është duke dihatur në kërkim të një shpëtimtari t’atdheut, të një krijuesi që mund të na bëjë të dalim nga shtjella e rënies nga e cila jemi mbështjellur. Bëhet fjalë për italianë tashmë të shkëputur nga çdo kushtëzim ideologjik, të zhgënjyer e të zvjerdhur, politikisht të shpenguar, jo saktësisht të djathtë as përkatësisht të majtë. Shpesh i kemi përcaktuar “populistë”.

Deri tani këto pështjellime kanë prodhuar, më shumë se sa rreziqe për demokracinë apo tundime autoritare, kaos dhe paqëndrueshmëri politike. Në dy votime rradhas, më 2013 e më 2018, kutitë e votimit nuk i kanë dhënë shumicën asnjë lidhjeje zgjedhore; për pasojë, në dhjetë vitet e fundit, janë shfaqur qeveri frute të marrëveshjeve parlamentare, shpesh të drejtuar nga personalitete të cilët as që kishin marrë pjesë në votimet.

Edhe se bëhet fjalë për një flegër të dobishme sigurie në regjimin tonë parlamentar, sepse e aftë të shmangë zbrazëti pushteti kur sistemi bllokohet, është e qartë se një demokraci është më e fuqishme nëse qarku zgjedhës-Parlament funksionon, e i jep jetë shumicave të puthura nga miratimi i kutive të votimit. Pra, nga kjo pikpamje, nuk mund të thuhet se përfundimi i zgjedhjeve të së dielës përbën një mbrapakthim. Përkundrazi. Udhëheqësja e opozitës ka fituar e do të shkojë në qeveri. Dikush ka shkruar se kësaj i shërben demokracia: shkëmbimit të klasëve drejtuese pa derdhje gjaku.

Një rend i dytë i problemeve dhe shqetësimeve rrjedhin nga personaliteti dhe historia politike e fitueses. Qartësisht e së djathtës; madje të një të djathte me prejardhje nga Lëvizja shoqërore italiane, kombëtariste e nativiste. Simbas një studimi të Luiss, duke mbledhur votat e Melonit me ato të Salvinit arrihet rezultati më i mirë zgjedhor i së djathtës në historinë e Evropës perëndimore. Pra është i kuptueshëm shqetësimi i Vëndeve tona partnere, të cilat luftojnë për ditë në shtëpinë e tyre për të shmangur një përfundim të këtillë. Gjithashtu sigurisht kryeministreja e mundëshme e ardhëshme ka për detyrë për të shkrirë një droçkë armiqësish që përndryshe do të dëmtonte Italinë, përveç asaj vetë.

A mund të thuhet se Xhorxha Meloni është e vetëdijshme? Disa tregues na thonë se po. Nuk bëhet fjalë vetëm për premtimin e “qeverisjes për të gjithë”, për “të bashkuar Italinë”, të deklaruara mbas suksesit. Që në fushatën zgjedhore fjala e saj kyçe ka qënë “përgjegjshmëria”. Ka dhënë këshilla mbi tri pikat themelore për qeverinë e ardhëshme: lufta n’Ukrainë, kriza energjitike, disiplina e bilancit. Mbi të gjitha këto mund të thuhet se ka përqafuar rendin e ditës Dragi, duke mbështetur edhe nga opozita qeverinë, si mbi sanksionet e armët për Ukrainën, si mbi betejën n’Evropë për çatinë e çmimit të gazit, si për kundërshtinë ndaj borxhmarrjes së nxituar të Vëndit. Tani ka një mandat të qartë për t’u mbajtur në këto tre pika. Për të vërtetuar maturinë me të cilën deri tani ka kufizuar propozimet zgjedhore më shpërthyese të aleatëve për bilancin publik, mjaft të mendohet për flat tax.

Natyrisht prova e kremës është në të ngrënit e saj. E vështira për Xhorxha Melonin fillon tani. Nuk ka pothuaj asnjë përvojë qeverie, dhe nuk e ka as klasa drejtuese e një partie të mësuar (apo të shtrënguar) prej kohësh në opozitë. Duhet t’a kuptojë shpejt se Brukseli është më pranë nesh se sa Washingtoni, e që Berlini e Parisi janë aleatë të çmuar, sigurisht më shumë se sa Varshava dhe Budapesti.

Por suksesi relativ zgjedhor i Berluskonit, që do të mundet kështu t’i veshë vetes përfaqësinë e të moderuarve në shumicën e ardhëshme, dhe humbja e padiskutueshme e Salvinit, që pakëson vendosmërisht për të ose për pasardhësin e tij hapësirat e manevrës, do të duhej t’i siguronin një dritare mundësish për një apo dy vjet, në të cilët do të tregonte se din të marrë në dorë frenat e qeverisë e të shquajë interesat reale kombëtare të Italisë.

Mbetet së fundi çështja e brishtë e të drejtave e të lirive që është mirë të mos nënvlerësohet. Në të gjithë botën, edhe n’Evropë, jemi të pranishëm në orvajtje për t’i kufizuar të dyja. E djathta italiane është sigurisht tradicionaliste dhe konservatore në lëndët si familja, aborti, mëmësia , gjinia. Por ndërsa këtu jemi në fushën e zgjedhjeve të ligjëshme politike, çdo shpresë për t’u kthyer mbrapa në fitoret qytetare të një Vëndi bashkëkohor e të lirë siç është i yni, do t’ishte aq e papërshtatëshme sa që të bëjë të besohet që një drejtues i zgjuar as që do t’i a hynte t’a provonte. Tjetër çështje është zgjerimi i mundshëm i sferës së të ashtuquajturave të drejta: mbi të cilat shprehet sovranisht Parlamenti, simbas lojës klasike të dialektikës e të ballafaqimit.

Me gjithë respektin për kryeministren franceze, Elisabeth Borne, që don të “vigjëlojë” mbi këto tema, besojmë se mund t’i themi se Italia është në gjëndje të vigjëlojë vetë. Demokracia e jonë është herë herë rrëmujëmadhe por e qëndrueshme, dhe zotërojmë të gjitha siguritë e një shteti të së drejtës. Një Parlament të lirë, në të cilin veprojnë tre grupe të ndryshme e luftarakë të opozitës, një president i Republikës që siguron respektin e Traktateve e konventave ndërkombëtare, një gjykatës ligjesh që vërteton kushtetueshmërinë, një rrahje e gjallë mendimesh publike e një sistem mediatik veprues e demokratik.

Megjithatë tashmë jetojmë, ashtu sikurse të gjithë Vëndet e tjera, në një arenë publike gjithevropiane. Të tjerët na gjykojnë ashtu sikurse dhe ne gjykojmë të tjerët. I leverdis të gjithëve që ai gjykim të jetë apo të bëhet pozitiv.

“Corriere della Sera”, 26 shtator 2022 Përktheu Eugjen Merlika

blank

KUJTESË PËR NJË MIK TË PATAKUAR ASNJËHERË- Nga Eugjen Merlika

“Kur fati na ka hequr një mik, nuk ka ilaç më të mirë se sa të gëzojmë kujtimin e tij
e të rigjejmë në të ndonjë gjë që është thënë mprehtësisht apo trajtuar urtësisht”
NICOLÒ MACHIAVELLI (1469 – 1527), shkrimtar politik e historian italian.

Pak muaj më ndajnë nga largimi i parakohshëm prej kësaj bote i një miku, i cili edhe pse nuk ishte pranë meje fizikisht, madje nuk kishim as numërat e telefonit të njëri tjetrit, la një zbrazësirë të madhe në zemrën time. Ai ishte i ndjeri Dalip Greca, me të cilin më lidhte një jetë bashkëpunimi në fushën e gazetarisë, pothuajse sa hapësira kohore e një brezi njerëzor. Na ndante një oqean ujor, por na bashkonte ideja e shërbimit, nëpërmjet shkrimeve, një epoke të re, jo vetëm të jetëve tona, por edhe të Vëndit në të cilin kishim jetuar.
Vinim të dy nga një qytet në mesin e Shqipërisë, fatkeqësisht i njohur nga të gjithë shqiptarët si një qëndër internimesh politike, një vënd grumbullimi i familjeve të “armiqve të klasës”, “kundërshtarëve” zyrtarë të regjimit komunist. Ishte qyteti i Lushnjës, i famshëm historikisht për Kongresin që u zhvillua në të në muajin e parë të vitit 1920, i cili i hapi rrugën një kursi të ri të politikës shqiptare e, njëkohësisht, aktit historik që solli në qëndrën e jetës politike të vetmin Mbret të ardhshëm të Shqipërisë bashkëkohore, Ahmet bej Zogollin.
Dalipi kishte lindur n’atë qytet ndërsa un isha adoptuar prej tij që në moshën dhjetëvjeçare. Në mesin e viteve pesëdhjetë Shteti komunist e përzgjodhi këtë qytet e rrethinat e tij në buzë të kënetës shekullore të Tërbufit, si një vënd të përshtatëshëm për të krijuar sektorët e një ferme bujqësore, që do të bëhej m’e madhja e Vëndit, duke mbajtur emrin e datës kur u vendos komunizmi në Shqipëri e që përkonte me ditën e largimit të ushtarit të fundit gjerman nga toka e saj e pushtuar gjatë luftës së Dytë botërore. Ajo krahinë do t’ishte pra, një vënd i posaçëm internimi, më i zgjeruari e më i ashpri i sivëllezërve të tij të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, me tetë sektorë, në të cilët çdo ditë, për 36 vite, zhvillohej famëkeqja “luftë e klasave”, e çuar në përmasa skajore, para të cilave Soveto e Afrikës së Jugut ishte një shembëlltyrë e zbehtë e urrejtjes njerëzore dhe e dallimit klasor e racor….
Miqësia ime me të ndjerin kryeredaktor të Diellit, nuk lindi n’ata mjedise të realitetit lushnjar, mbasi ne n’atë kohë nuk njiheshim me njëri tjetrin. Un isha një banor i rregullt familjarisht i sektorëve të internimit të Plukut, Savrës, Gradishtit, përsëri të Plukut e së fundi të Grabianit, ku ishte internuar familja, mbas dënimit tim për agjitacion e propagandë më 1980. Miku im, Dalipi, kishte qënë më fatlum, duke mos patur një mbiemër që i shkaktonte bezdi mjediseve të larta të politikës e të vartësve të saj në Shqipërinë komuniste. Kishte lindur në Lushnjë në vitin 1950. Kishim gjashtë vite ndryshim, i lindur un në vitin 1944. Shkollën e mesme e kishte mbaruar në gjimnazin “Abaz Shehu” të Tepelenës, në qershor 1969, vit në të cilin un kreva shërbimin ushtarak në Ndërmarrjen Bujqësore Ushtarake të Burrelit. Tepelena ishte emri i qytetit të përzgjedhur nga Byroja Politike për të ndërtuar në fushën me katër kazerma të mëdha të ushtrisë italiane gjatë luftës italo-greke, kampin e dëbimit apo të shfarosjes, ndoshta më të llahtarshmin e të gjithë Lindjes komuniste evropiane. N’atë kamp kisha kaluar rreth tre vite të fëmijërisë sime, së bashku me nënën e gjyshen time.
Mbas mbarimit të gjimnazit, Dalipi shkoi në Shkodër, ku u diplomua me nota shumë të mira për gjuhë-letërsi në Institutin e Lartë pedagogjik dyvjeçar. Me t’a mbaruar atë u mobilizua në marinë për të kryer shërbimin ushtarak. Ajo ishte një nga armët më të vështira edhe në sajë të gjatësisë së shërbimit prej tre vitesh. Me të mbaruar atë shërbim, në sajë të vullnetit për të studjuar e dëshirës për të qënë sa më i përkryer në ushtrimin e profesionit të mësuesit, u regjistrua në Universitetin shtetëror të Tiranës, përsëri në degën gjuhë-letërsi, pa shkëputje nga puna. Punonte si mësues i gjuhës e letërsisë në qytetin e Lushnjës edhe mbasi mbaroi shkëlqyeshëm fakultetin e dytë. Pasioni për mësuesinë e mbajti n’arsim deri në vitin 1983. Më pas ai mori një tjetër rrugë, atë të gazetarisë, në fillim në gazetën vendore të qytetit të lindjes “Shkëndija” e më pas në organin e partisë republikane “Republika”, mbas dhjetorit 1990. Duhet theksuar se Dalip Greca kishte një talent të lindur për gazetarinë, që doli në pah më shumë mbas vitit 1990, kur ai, si dhe gjithë të tjerët kolegë të tij, u liruan nga vargojtë e partishmërisë që duhej të kushtëzonin përmbajtjen dhe stilin e të shkruarit.
Jeta dhe vepra e brezit tonë ka patur në fundin e viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar, një kthesë epokale, që ka përcaktuar e ndryshuar kursin e jetës vetiake e profesionale të secilit në veçanti, por edhe të shoqërisë shqiptare në tërësi. Ajo ngjarje madhore qe dështimi paqësor i komunizmit evropian si sistem, e megjithë “qëndresën heroike” të komunistëve dogmatikë të Shqipërisë për të mos e pranuar dukurinë evropiane (“Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim” Ramiz Alia dixit), enveristët shqiptarë nuk qenë në gjëndje t’a shtynin më shumë se një vit mungesën e ndryshimit, por arritën të shmangnin atë term, në kuptimin rrënjësor të tij, e t’a zëvendësonin me atë të tjetërsimit, në kënetën e të cilit vazhdojmë ende të lundrojmë. Vëndi i ynë, që deri në dhjetëvjeçarin e parafundit të shekullit të njëzetë, ruante dhe mbronte me ligje të sajuara shtatoret e Stalinit në sheshet e tij, i drejtuar që prej tridhjetë vitesh nga një grusht politikanësh të improvizuar të vitit 1991, mbetet ende sot i mangët përsa i përket demokratizimit të vërtetë. Paaftësia endemike për ndryshime rrënjësore përcaktoi edhe ecurinë e sistemit të ri që u kthye në një përzjerje hibride mes atij që linim pas e atij që ëndërronim me naivitetin fëminor që na karakterizonte.
Si për shumicën e shqiptarëve ashtu edhe për ne të dy ata ndryshime sollën pritmëri të reja. Dalipi u aktivizua menjëherë në lëvizjen e re që synoi në ndryshimin e sistemit e lënien mbas krahëve të regjimit komunist. Ai mori pjesë në partitë e reja që lindën më porosinë e “partisë nënë”, mbas dhjetorit 1989, duke zgjedhur partinë republikane, të themeluar nga shkrimtari e ish oficeri Sabri Godo. Mua ajo periudhë më gjeti në internim, të dhënë mbas lirimit nga burgu me amnistinë e 15 nëndorit të vitit 1982. Ato kohë të fillimit të tjetërsimit të sistemit, u mbushën me shpresa e iluzione për të gjithë shqiptarët, kryesisht për ata që kishin ndjerë më shumë përmbi shpinë barrën e diktaturës, në të gjitha shfaqjet e saj mizore. Ato lidheshin më së shumti me largimin familjarisht jashtë Shqipërisë.
Mbas “mrekullisë” hyjnore të shëmbjes së komunizmit lindi një prirje e shfrenuar për të arritur fizikisht në “botën e lirë”, të cilën e njihnim në mënyrë shumë sipërfaqësore e nuk ishim aspak të përgatitur për t’a përballuar. Synimi i parë u bë nxjerrja n’atë botë e fëmijëve për të ndryshuar jetën e tyre. Në ata që vinin nga kampet e internimit, që kishin patur “guximin”, apo “marrëzinë” të ripërtërinin mbiemrin e familjes me pasardhës, qëllimi i vetëm i jetës u bë ndryshimi i pritmërisë së jetës së tyre, vënia në kushtet e një normaliteti njerëzor, me mundësi studimi në universitet, larg një mjedisi mizor e armiqësor, të drejtuar nga kriminelë. U bë detyrë urdhëruese e atyre prindërve të shmangnin për fëmijët e tyre qënien n’ato mjedise në të cilët kishin lindur e në të cilët ishin përballuar me dallimin klasor që në foshnjëri, duke njohur mbi shpinë çdo ditë urrejtjen e pamundësinë për të sendërtuar në jetë dëshirat dhe ëndrrat në vartësi vetëm të aftësive e vullneteve të tyre. I tillë ishte rasti i im dhe i familjes sime që, në gushtin e vitit 1991u shpërngul në Itali, në vëndin e lindjes së nënës, e cila e ripa atë Vënd për herë të parë mbas 47 vitesh të kaluara në shumicën dërmuese në kampet e internimit.
Jeta e mërgimit ka vështirësitë e veta, sidomos në vitet e para. Por ato vështirësi nuk kishin krahasim me mynxyrën që kishim lënë mbas krahëve e në të cilën kishim jetuar për afër gjysëm shekulli. “Liria jep rezultate!” qe kryefjala e vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker në Shqipërinë e sapo dalë zyrtarisht nga komunizmi. Fjala e mbajtur në tubimin, besoj më të madhin e karierës së tij diplomatike, qe ballafaqimi i parë i shqiptarëve me Perëndimin e ëndërruar e me Vëndin udhëheqës të tij, SHBA. Ndërsa postulati i Bejkerit vononte sendërtimin në Shqipëri, për shqiptarët e mërguar, megjithë vështirësitë, herë herë të pakapërxyeshme, liria fillonte të jepte rezultatet. Merrej frymë lirisht, pa frikën e ndjekjes nga prapa të oficerit të sigurimit apo të spiunit të tij, që kishte shënuar gjithë jetën tonë të shkuar. Fillonin të vinin edhe kënaqësitë nga studimet e fëmijëve e, krahas punës së rëndomtë, të viheshin në veprim aftësitë e fjetura e të pashprehura kurrë. Filluan shkrimet e botimet e librave, shprehje e lirë e mendimit pa zinxhirë.
Ndërkaq Dalipi jepte ndihmesën e tij jetës së re tek gazeta Republika e përgatitej të kalonte oqeanin, për të provuar aftësitë e tij në Vëndin simbol të demokracisë. Këtë e sendërtoi më 20 korrik 1999. Viti 2000 e gjeti në redaksinë e gazetës “Illyria”. Ai vit qe ai i takimit tonë virtual. Një mik familjar i imi, ing. Mërgim Korça, i dërgoi për botim Illyrisë një syzim timin: “Elegji për brezin tim”, të cilin e kisha botuar në Romë në gazetën “Bota shqiptare” të botuesit Roland Sejko. Shkrimi u botua menjëherë në Illyria e un mora përgëzimin e redaktorit të saj e ftesën për të filluar një bashkëpunim që zgjati më shumë se njëzet vite.
Gjatë atyre viteve marrëdhëniet tona u bënë më të ngushta, më të ngrohta e më miqësore. U karakterizuan nga një korrektësi shëmbullore, nga një respekt i ndërsjelltë deri në dashamirësi. Mbaj mënd që në rastin e 90-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Dalipi më kërkoi një ndihmesë në hartimin e një numëri të posaçëm të gazetës, kushtuar atij përvjetori. E pranova me kënaqësi atë ftesë e shkruajta një syzim me titull “Në kapërcyell të mijëvjeçarëve (Marrëveshje e mosmarrëveshje mes shqiptarëve )” dhe i dërgova dy shkrime të Mustafa Krujës me tituj: “Të shpallët e Pamvarësisë” dhe “Kuptimi i XXVIII Nandorit”. Ishin shkrime kushtuar përvjetorëve të asaj ngjarje madhore në të cilën ai kishte qënë i pranishëm duke firmosur “Deklaratën e Mëvehtësisë”. Mbaj mënd se Dalipi më dërgoi numurin e shtypur të gazetës që kishte plot njëqind faqe.
Mbas disa vitesh pune te Illyria Shoqata “Vatra” vendosi t’i besojë Dalipit detyrën e redaktorit të “Dielli” që kishte afë tre vite që nuk dilte në shtyp. Por gjatë kësaj kohe, krahas punës me redaksitë e gazetave, ai gjeti kohën e vullnetin për të nxjerrë në dukje edhe aftësitë e tij të studimit në një tjetër fushë, që nuk ishte ajo, në të cilën ishte diplomuar dy herë në Shqipëri, gjuha e letërsia shqipe. Vëndi i adoptuar sikur e nxiti të njohë edhe fushën ekonomike. Kështu ai filloi e përfundoi në dy vite Institutin Tecnology of Busines në New York. Nuk më pati shkruar kurrë për këtë arritje të tij, që meritonte përgëzime e lavdërime të sinqerta në moshën e tij. Por ai burrë ndoshta e kishte me të tepër prujtuninë, që përbënte një dhunti jo vetëm të natyres por dhe t’edukatës që kishte marrë që herët në familje, e që është një nga virtutet më të çmuara të karakterit njerëzor. Megjithë diplomën e tretë, një dukuri jo fort e zakonshme në fushën e publiçistikës, e që nxjerr në pah brumin e tij përbërës të intelektit, Dalip Greca mbeti përjetë i lidhur me fushën e ëndrrave të rinisë, duke i kultivuar ato deri në orët e fundit. Ai mbeti i zotuar shpirtërisht e mendërisht me Vatrën e me organin e saj, më se shekullor, “Dielli”, në shërbim të të cilëve vuri të gjithë aftësinë e vullnetin e tij të pazakontë, në një veprimtari të gjatë, me zellin e dëshirën për të punuar në heshtje, pa bujë e lëvdata, duke kërkuar shpërblimin e mundit të tij në ndërgjegjen e tij, më shumë se në vlerësimet e të tjerëve.
Bashkëpunimi ndërmjet një publiçisti dhe botuesve të tij është një proçes që, në shumicën e rasteve, sidomos kur është i gjatë e i frytshëm, pa tjetër krijon një farë lidhjeje që i kalon caqet e një njohjeje të thjeshtë. Mes meje e Dalipit ka ndodhur kështu. Ne jo vetëm njoftonim njëri tjetrin edhe për problemet e ndërsjellta familjare, e në raste vështirësish, sidomos shëndetësore, ishim pranë, sigurisht nëpërmjet mesazheve. Kështu për ngushullimin tim, me rastin e ndërrimit jetë të babait të tij ai u përgjigj me këto fjalë: “I dashur mik, Të falënderoj me shpirt për mesazhin. E vlerësoj shumë dhe ndjehem i lehtësuar. Babain e vizitova dy javë para se të ikte nga kjo jetë, Më mbeti peng që nuk munda t’i hidhnja një dorë dhe. U a shpërblefsha në gëzime.” Mesazhi mban datën 11 shtator në përgjigje të ngushullimit tim të 10 shtatorit 2018.
Më parë, në vitin 2017 un ndërrova kompiuterin. Ndoshta, për fajin tim, gjatë veprimit me të, u fshinë nga ai dhjetra shkrime e përkthime që kisha botuar ndër vite. I shkruajta Dalipit, duke kërkuar ndihmën e tij. Brënda pak ditësh ai m’i dërgoi më shumë se tridhjetë shkrime origjinale, veç përkthimeve. Ishte një dëshmi e kujdesit të tij, për të cilin i jam shumë mirënjohës.
Më 13 shtator 2018 i dërgova Dalipit këtë e-mail: “I dashur Dalip, Uroj të jesh mirë me shëndet e lus Zotin të të lehtësojë dhimbjen e madhe. Po të dërgoj një film dokumentar mbi kampin e Tepelenës, të xhiruar nga Admirina Peçi, me dëshminë e gruas së xhaxhait tim, Klara Mirakaj Merlika. Po t’a dëgoj që, brënda mundësive tuaja, t’a shpërndash ku ke mundësi e të duket e arsyeshme. Është një mënyrë për të mos e lënë të mbulohet me pluhurin e harresës atë periudhë tragjike të historisë sonë, me që janë mjaft në Shqipërinë tonë që e dëshirojnë atë gjë.”
Mbas dy orësh mora këtë përgjigje: “I dashur Eugjen, E pashë me një frymë…. E tmerrshme…. Çdo njeri me “shpirt, me mish, me gjak”- si thotë Klara- nuk mund t’i mbajë lotët… Pasi e ke ndjekur dokumentarin të mbeten në mëndje Cuklina, nëna që pa me sytë e saj vdekjen e 13 fëmijëve… dy binjakët që u shuan brënda një çasti…. Apo Dila e Prenda Gjikola, …. 24 fëmijët e shuar për 24 orë….. Tifo që gëlltiste jetë, tifua…. Uria…. përvuajtja e grave dhe e fëmijëve…. Një dokumentar që thotë shumë, një rrëfim drithërues i Klara Mirakës….. Dhimbje për vuajtjet e saj dhe atyre qindra grave, fëmijëve, pleqve, të syrgjynosur aty pa asnjë lloj faji…. Faleminderit që m’a dëgove…. E shpërndava….. E vendosa edhe në faqen e Diellit dhe Vatrës në Facebook.”
Ajo përgjigje ishte një dëshmi e shpirtit të tij fisnik e të dhëmshur, që tronditej e ligështohej për dramat e tragjeditë e popullit të tij, ndjente dhimbje për bashkatdhetarët që kishin vuajtur me dhjetëvjeçarë të tërë nëpër kampet e internimit, për padrejtësitë, mortnimet e salvimet e njerëzve të pafajshëm që ishin mbyllur n’atë kamp çfarosjeje, për pleqtë, fëmijët e gratë shqiptare. Dalip Greca ishte i bindur se ai realitet mizor i Vëndit të tij të martirizuar duhej bërë i njohur jo vetëm për botën e huaj, në të cilën ai jetonte, por edhe për të rinjtë shqiptarë që nuk e kishin jetuar. Si publiçist e redaktor i “Dielli”-t, ai e vuri atë organ shtypi në përdorim të përhapjes të së vërtetës historike, duke hulumtuar në mjediset e shqiptarëve t’Amerikës, mbi veprimtaritë e shumë atdhetarëve që, në Vëndin e tyre, u quajtën “armiq populli”, ndërsa ata ishin vetëm kundërshtarë të armiqve të vërtetë të shqiptarëve e të shqiptarizmit. Ata u quajtën të tillë jo vetëm nga sistemi kriminal i politikës, që nuk përbëhej vetëm nga nomenklatura komuniste në të gjithë nivelet, por edhe nga kultura që u vu në shërbim të saj.
Puna e gazetarit dhe dëshira e tij vetiake për të njohur diasporën e vjetër bashkatdhetare e vuri në lidhje me shumë antarë të saj dhe nga dëshmitë e intervistat e tij me to lindi libri “Armiqtë që e donin me shpirt Atdheun”. Me atë libër ai jo vetëm tregoi të vërteta të mohuara për një gjysmë shekulli nga atdheu i tyre, por i ktheu një borxh nderi që publiçistika shqiptare i detyrohej figurave t’atyre që kaluan gjithë jetën duke ëndërruar Vëndin e tyre e duke përtypur dhimbjen e tyre të thellë për fatin e tij. Janë shumë të pakët ata intelektualë të regjimit që kanë menduar të kryejnë një veprim të këtillë si Dalip Greca, të nxjerrin në pah të vërtetën për veprimtaritë e bashkatdhetarëve të tyre kundërkomuniste, të cilët lanë atdheun për të mos pranuar dhunën e diktaturës, e në jetën e tyre u përballën me vështirësi nga më të ndryshmet, por gjithmonë duke mbajtur lart dinjitetin njerëzor e shqiptar e duke ushqyer në zemër dashurinë për vëndlindjen. Madje, fatkeqësisht, ka në Shqipëri “intelektualë” që gërmojnë në dokumentat e Sigurimit të Shtetit komunist, për të gjetur ndonjë “njoftim” për korifejtë e kulturës shqiptare e maja të saj si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, e për të ngritur mbi ta “hamëndje bashkëpunimi” me shërbimet e fshehta të huaja në dëm të Shqipërisë. Kjo ndodh në ditët tona dhe e gjithë godina që ata ngrenë për të poshtëruar ata emra të ndritur, është një veprim thellësisht kundër-atdhetar e i turpshëm.
Dalip Greca shkon ballëlartë në gjyqin e ndërgjegjes së tij e të kombit sepse në veprimtarinë e tij i ka shërbyer vlerësimit e nxjerrjes në pah të vlerave kulturore shqiptare të shprehura nga kundërshtarët e regjimit, në të cilin ai lindi, u formua e jetoi. Ky qëndrim e nderon atë edhe në përjetësi, ashtu siç ishte një fletë nderi sa ishte në jetë. Në këtë hulli të mendimit e të veprimtarisë së tij publiçistike hyn edhe qëndrimi i ngrohtë që ai ka shfaqur në rastin kur i nënëshkruari i ka dërguar për bibliotekën e “Vatrës”, një kolanë të veprave të gjyshërve të tij, Mustafa Kruja e Sotir Gjika si dhe të vëllimeve të tij vetiakë. Falënderimeve të redaktorit të “Dielli”-t për atë veprim i është përgjigjur me këtë mesazh të datës 4 nëndor 2019:
“Jam shumë i gëzuar që libri im i fundit do të jetë në dispozicion të lexuesve të Vatrës. Ndjehem dhe un një pjesë e vogël e asaj organizate të lashtë, në të cilën ka dhënë ndihmesën e vet edhe gjyshi i im, Sotir Gjika, rreth 110 vite më parë. Faleminderit shokut tim të fëmijërisë, që e plotësoi porosinë. Faleminderit edhe ty, Dalip, për bashkëpunimin e gjatë në rreth 20 vite, gjithmonë me respekt e konsideratë të ndërsjelltë, marrëdhënie shëmbullore edhe se nuk kemi patur fatin të takohemi fizikisht, edhe se, në mos gabofsha, jemi parë një herë në Lushnjë, kur ti punonje për Republikën. Shpresoj se Zoti do të na ndihmojë të shihemi përsëri. Përshëndetjet më të përzemërta”
Në vazhdën e shkëmbimeve të mesazheve me këtë mik të vyer, po sjell atë të tij në përgjigje të urimit tim për daljen në pension, dukuri të cilën un, ndoshta gabimisht e lidha me ndryshimet në vitet e fundit në kryesinë e Vatrës:
“I dashur Eugjen,
Nuk kam fjalë për të shprehur mirënjohjen dhe respektin për mesazhin e ngrohtë që më dërguat me rastin e pensionimit tim.
Kisha kohë që e mendoja ndarjen e dhimbëshme nga Dielli. Kohët e fundit janë vështirësuar punët në Vatrën e Diellit, me grupime brënda dhe jashtë saj, ndërkohë që shëndeti im ka kohë që më jep sinjale “hap rrugën”. Në këto kushte e mora vendimin dhe e publikova në gazetë, pa u dhënë kohë drejtuesve të Vatrës për diskutime. Sonte, ata shtrojnë një darkë në nderin tim, me pjesëmarrjen e drejtuesve të qëndrës e degëve, me ftesa të konfirmuara për ardhje nga ambasadat e konsullatat e Kosovës dhe të Shqipërisë, me një dekorim “Kalorësi i Urdhërit të Skënderbeut” nga Presidenti, me një mirënjohje “Faik Konica”nga Vatra, etj. Pra nuk po më heq Vatra, po shkoj të pushoj, ndërkohë që kam kohë të sistemoj materialet e mia më të mira në ndonjë libër si një Histori të Diellit mes dy shekujve jete, që e kam nisur një vit më parë, por do të dojë kohë.
Për ju i dashur, shpreh mirënjohje dhe respekt të veçantë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e gjatë prej dy dekadash. Shpresoj që të mos e ndërprisni bashkëpunimin me Gazetën Dielli. E-maili: gazetadielli@gmail.com.
Me shumë të fala
Dalipi”
Në përgjigjen e tij ai më sqaronte me sinqeritet arsyet e dorëheqjes që kishin të bënin më shumë me shëndetin e tij. Nuk kam arsye mos t’i besoj fjalëve të tij e ajo që më jep kënaqësi të veçantë është respekti i institucioneve në rastin e dorëheqjes e vlerësimi i tyre i merituar për të. Por të gjitha këto gërshetohen me një ndjenjë të thellë dhimbjeje e keqardhjeje për ndarjen e parakohëshme nga familja, miqtë e dashamirët, nga jeta në një kohë kur ishte zotuar në veten e tij të sendërtonte një vepër, për të cilën kishte punuar e mbledhur materiale për vite të tëra. Ajo vepër do t’ishte “Një histori e Diellit mes dy shekujve jete”, një histori madhore e njërës nga bashkësitë më të mëdha e më të rëndësishme të shqiptarëve në botë, asaj në kontinentin e ri, që strehoi në gjirin e tij bujar shpresat, ëndërrat, përpjekjet, mundin e disa brezave shqiptarësh, të cilët gjetën n’atë Vënd të madh “Tokën e premtuar”. Së fundi ai më la një porosi, të cilën do të mundohem t’a sendërtoj deri sa Zoti të më japë mundësi të shkruaj, atë të “mos ndërpres bashkëpunimin me Gazetën Dielli”. Është amaneti i tij i fundit, që kthehet në një detyrë parësore në atë pjesë jete që më ka mbetur të përshkoj.
Kjo letërzë është ndoshta gjëja m’e bukur që më ka mbetur nga bashkëpunimi e miqësia e gjatë me Dalip Grecën. Është si “kënga e mjellmës” e miqësisë sonë, të përcjellë në vite të gjata nëpërmjet valëve të internetit, që zvogëlojnë e zhdukin hapësirat gjeografike, duke na afruar shpirtërisht me familjarët, shokët, miqtë, dashamirët, njerëzit me të cilët na lidhin botkuptimi, shllimet, shijet kulturore, qëllimet e synimet e jetës, përftimet e ngulitura nga përvoja e viteve, përkatësia një gjuhe, një populli, një Vëndi, në të cilin lindëm secili me të veçantën e tij, me fatin e tij, por duke ruajtur në zemër një flakë, atë të dashurisë për të e të dëshirës për t’a parë atë sa më të mirë, të bukur të begatë, sa më njerëzor e fisnik. Uroj që ky këndvështrim i botës të mos mbetet vetëm pasuri e brezit tonë, por të përcillet edhe te bijtë e nipat tanë.
Po e përfundoj këtë kujtesë të dhimbëshme për mikun tim të dashur me sjelljen e mesazheve të fundit të shkëmbyer me të e që përkojnë me urimet e zakonshme për festën e parë të vitit 2022:
“E premte, 31dhjetor 2021
I dashur Dalip,
Arritëm në ditën e fundit të një viti që nuk qe shumë i mbarë për gjithë botën e që solli edhe për ty ndryshime, mbas vitesh të tëra pune të zellshme në publiçistikën shqiptare. Edhe këtë Vit të Ri, si shumë të tjerëve përpara, të vijnë urimet e mija më të përzemërta ty dhe familjes tënde për shëndet të mirë, mbarësi e gëzime, plotësim dëshirash, qetësi e suksese në punën tënde që vazhdon edhe se je në pension!
Miqësisht
Eugjeni”

“E hënë, 3 janar 2022
I dashur Eugjen,
Nga zemra ju falënderoj për urimin dhe mesazhin e ngrohtë që më dërguat me rastin e Vitit të Ri.
Edhe un e familja ime ju përcjellim urimet më të mira. Qoftë një vit i mbarë për ju, familjen dhe miqtë viti 2022!
Të fala
Dalip Greca”
Jeta njerëzore ka kufijtë e saj, ka fundin e saj të pashmangshëm për çdo krijesë njerëzore që lind, jeton e vepron në këtë “lëndinë lotësh”, që është bota e jonë. Dukuria më e sigurtë në këtë jetë është fundi i saj, ikja prej saj, që së bashku me ardhjen në këtë botë përbëjnë edhe të panjohurat më të mëdha me të cilat përballen të gjithë njerëzit prej shumë mijëvjeçarësh…. Asaj dukurie nuk ka mundur askush t’i shmanget, ajo i barazon të gjithë, pavarësisht nga vlerat, ndihmesat, veprat e mira apo jo të tilla, rëndësia apo kotësia e tyre, fati i mirë apo i keq që shoqëron kohën e qëndrimit mbi këtë tokë….
Për ata që e besojnë, jeta vazhdon edhe mbas ikjes nga kjo tokë,me shpirtin që nga ai çast fluturon në një botë tjetër Kjo na frymëzon shpresën tek përjetësia, duke na e lehtësuar edhe çastin e fundit që jetojmë, edhe frymën e fundit. Për mikun tim të nderuar, Dalip Grecën, ai çast ishte pjesë e 16 majit të këtij viti 2022. Por veç asaj jete që na pret e “nga s’na u kthye kurrë udhëtari”, secili lë mbrapa trashëgiminë e tij njerëzore, morale, mendore, kulturore, të cilat përbëjnë kujtimin e tij që mbetet i gjallë tek familjarët, miqtë, shokët e në raste si ai i Dalipit, në shumë njerëz, të njohur e të panjohur, në zemrën e mëndjen e të cilëve ai ka hyrë nëpërmjet fuqisë së pendës së tij.
Paqe në përjetësi shpirtit të tij të bardhë e jetëgjatësi pafund kujtimit të tij të mdritur!
Shtator 2022

blank

Perëndimi ende nuk po ndihmon mjaftueshëm për të mundur Putinin – Nga Niall Ferguson

Pas kthimit nga një udhëtim mbresëlënës në Ukrainë, ku takova Zelenskin dhe pashë ukrainasit e ashpërsuar nga lufta.

 

Si historian, kam shkruar shpesh për idenë e një “kombi në armë”. Shtetet e Bashkuara u krijua jo vetëm nga Deklarata e Pavarësisë, por nga fitorja e saj – pas një lufte tetëvjeçare – mbi kundër Mbretit George III. Ishin luftërat revolucionare nga 1793 deri në 1815 ato që i kthyen “fshatarët në francezë”, siç thotë një shprehje e vjetër.

Edhe Italia e Gjermania moderne u bënë kombe përmes luftërave të përgjakshme. E ndërsa identiteti kombëtar britanik ishte farkëtuar në kohë shumë më të hershme, ne ende e përkufizojmë veten pjesërisht në mënyrë luftarake. Sa herë që këndojmë himnin kombëtar, për shembull, i kërkojmë Zotit që të na dërgojë një monark jo vetëm të lumtur e të lavdishëm, por para së gjithash fitimtar.

E megjithatë, me zvogëlimin e përmasave fizike të ushtrive moderne dhe me luftërat e fundit të zhvilluara në vende të largëta si Iraku dhe Afganistani, ne jemi larguar nga përvoja e një lufte popullore, në të cilën të gjithë marrin pjesë, të gjithë bëjnë sakrifica.

Ukraina ka provuar se një luftë e tillë ende ekziston. Dhe e kam parë me sytë e mi. Kam shkuar në Ukrainë çdo vit prej më shumë se një dekade për të marrë pjesë në konferencën e Strategjisë Evropiane në Jaltë – kryesisht një forum për debatin Perëndim-Ukrainë dhe për politikëbërjen.

Në fillim, shkova thjesht për të parë Jaltën, resortin e famshëm buzë Detit të Zi, ku Churchill, Roosevelt dhe Stalin u takuan në shkurt 1945 për të vendosur formën e Evropës së pasluftës.

Por shpejt u magjepsa nga Ukraina: asnjë popull në botë nuk provoi më tepër dhunë vdekjeprurëse të organizuar në shekullin e 20-të; asnjë tokë nuk ka qenë kaq e lagur me gjak.

Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, konferenca është mbajtur në Kiev. Sivjet, nuk e prisja kurrë që të vazhdonte. Por për habinë – edhe kënaqësinë – time, më erdhi ftesa si zakonisht.

Problemi i vetëm: të shkosh në Kiev nuk është më gjë e lehtë.

Fluturimet civile janë shumë të rrezikshme – lufta po bëhet në qiell ashtu si në tokë. Kështu që e vetmja mënyrë për të hyrë ishte me tren, natën, përmes kufirit polak, me blindat e dritareve të ulura detyrimisht poshtë për të zvogëluar zbulimin nga ajri.

Dhe kështu u bë, pak më shumë se dy javë më parë, nisa udhëtimin duke kaluar ngadalë nëpër perëndimin e këtij vendi të shkatërruar nga lufta drejt kryeqytetit.

Shoqëria ukrainase dikur ka qenë thellësisht e ndarë – politika e saj është famëkeqe për korrupsionin, presidenti i saj është një ish-komedian, ngjitja në pushtet e të cilit ishte bërja realitet e subjektit të një seriali komik ku ka luajtur.

Megjithatë, invazioni rus shtatë muaj më parë jo vetëm që e ka kthyer atë president, Volodimir Zelenskin, në një udhëheqës heroik e karizmatik lufte, por, më e rëndësishmja, e bashkoi popullin ukrainas. Ushtarët dhe civilët janë njësoj në vendosmërinë e tyre për të mbrojtur pavarësinë dhe demokracinë e vendit të tyre.

Dhe, siç zbulova, Kievi është Ukraina në mënyrën më të bashkuar – një qytet që gumëzhin me shumë më tepër gjallëri nga sa do mund të guxohej në kohë të tilla.

Beteja e Kievit, natyrisht, u luftua dhe u fitua në fazën e parë të luftës. Luftimet tani janë përqendruar në jug, rreth Kherson dhe lindje, përtej Harkovit.

Dje, pas “fitoreve” në referendumet farsë këtë javë, Presidenti Putin nënshkroi dekretet që aneksonin katër prej këtyre zonave në përshkallëzimin e tij të fundit të dëshpëruar, edhe teksa ushtria e tij po vuan në mbajtjen e kontrollit të tyre.

Në kontrastt, qendra e Kievit duket pothuajse normale. Por nëse shkon drejt verilindjes, në periferitë e Irpin, Buça e Hostomel, do të shohësh urat e hedhura në erë, shtëpitë e shkatërruara dhe mjetet të blinduara ruse të djegura.

Ushtarët ukrainas këtu i quajnë invazorët “orkë” (ushtarët e Sauronit në trilogjinë Zoti i unazave). Do ta merrni vesh pse.

Jam tronditur nga memoriali i thjeshtë për viktimat e krimeve të luftës, të varrosur pranë kishës së Gjithë Shenjtorëve në Buça. Vetëm gjashtë muaj më parë ata varrosën këtu më shumë se 60 viktima – shumë prej tyre civilë të ekzekutuar me gjakftohtësi nga skuadrat e vdekjes në mars.

Aeroporti Antonov aty pranë ishte vendi ku forcat ajrore elitë ruse zbarkuan për herë të parë. Plagët e betejës së ashpër që pasoi janë të dukshme, përfshirë karkatën e atij që dikur ishte avioni më i madh në botë, AN-22, i njohur si “Mrija” (ëndërr) në gjuhën ukrainase.

E pranoj, kishte diçka emocionuese në udhëtimin me tren drejt Kievit një natë më parë. Buça ma prishi humorin dhe më përgatiti për mesazhin e zymtë në fjalimin e hapjes së konferencës nga Presidenti Zelenski se “dimri i pakënaqësisë” po afrohej me shpejtësi, jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën.

E kisha takuar Zelenskin më parë – pesë muaj pas zgjedhjes së tij befasuese në prill 2019. Më pëlqeu. “Trupvogël por energjik”, shkrova në atë kohë.

Gjatë drekës, më tregoi me humor se kohët e fundit kishte pasur “një telefonatë shumë të çuditshme”. (Telefonata e Donald Trump, në të cilën Trump thuhet se i premtoi të shkrijë ndihmën ushtarake në këmbim të një hetimi të rivalit të tij politik Joe Biden dhe marrëdhënieve të biznesit të djalit të tij Hunter në Ukrainë, e cila u bë publike dhjetë ditë më vonë)

Më vonë, në një kabare të jashtëzakonshme pas darkës, Zelenski doli në skenë me tre aktorë nga seriali i tij i vjetër.

Ai president naiv tashmë është zëvendësuar tërësisht nga lideri i luftës, i cili më 24 shkurt vendosi të qëndronte e të luftonte – me fjalët e pavdekshme: “Më duhen municione, jo biletë udhëtimi”.

Në epokën kur bota demokratike është mësuar me lidership të rremë, takimi me një lider të vërtetë është tronditës.

Zelenski e rrezaton vullnetin për të fituar. Zëngjirur, i parruar, i pagjumë, ai nuk mendon më të argëtojë. Qëllimi i tij i vetëm është të arrijë fitoren. “Nuk ka rrugëdalje veç fitoresh”, tha në fjalimin në Kiev. “Nëse brezi ynë nuk arrin ta fitojë këtë luftë shkatërrimtare gjatë jetës sonë, ajo do të vazhdojë ende. Shoqëria nuk dëshiron të ketë të bëjë me terroristë”.

Zelenski e meriton famën që ka. Por Ukraina nuk do t’i zmbrapste orkët në Mordor nëse edhe populli ukrainas nuk do të ishte ngritur në lartësinë e duhur për këtë sfidë historike.

Një i ri biond erdhi e më takoi në konferencë.

“Më mban mend nga vjet?”, më pyeti. “Isha student. Tani jam ushtar”. Kishte një buzëqeshje nga veshi në vesh, dukshëm krenar për shndërrimin.

Andrij Yermak, i cili drejton Zyrën e Presidentit, dikur ishte producent filmash. Tani, teksa u bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve që ta quajnë qeverinë ruse një sponsor shtetëror të terrorizmit, tingëllon më tepër si një prokuror në gjyqin e Nurembergut.

Dikush iu drejtua Ministrit të Mbrojtjes të Ukrainës, Aleksij Reznikov, me fjalën “Gjeneral”. “Në fakt, jam jurist”, erdhi përgjigjja me humor.

Por jo të gjitha transformimet e luftës janë gjëra për të qeshur. Takova Ivan Fedorov, ish-kryebashkiaku i qytetit jugor Melitopol, të cilën rusët e kapën rob dhe ia nënshtruan abuzimit psikologjik në fillim të marsit.

Fola edhe me Masi Najem, një avokat i kthyer në parashutist që shërbeu në Donbas pas pushtimit të vitit 2014. Sivjet u kthye sërish në front. Në qershor mori një plagë të rëndë në kokë dhe fraktura të shumta. Por, megjithëse dukej i dobët, ai qëndroi dhe foli me vendosmëri, duke u bërë thirrje bashkëkombësve të tij ukrainas – dhe botës – të mos harrojnë heronjtë e shumtë të plagosur të kësaj lufte.

A mund të fitojnë? Ndoshta.

Por nuk është aspak e sigurt. Sepse luftërat nuk fitohen vetëm me heroizëm – siç më është bërë e qartë nga pothuajse të gjithë ata me të cilët fola gjatë vizitës sime. Mesazhi i tyre i bënte jehonë mesazhit të Churchillit drejtuar Shteteve të Bashkuara në shkurt 1941: “Na jepni mjetet dhe ne do ta përfundojmë punën”.

Lufta moderne është në shumë mënyra vazhdimi i ekonomisë me mjete të tjera. Mbi këtë bazë, Rusia do të dukej e destinuar ta mposhtte Ukrainën, herët a vonë. Ka territor 28 herë më të madh; popullsi 3.3 herë më të madhe; dhe, më e rëndësishmja, ekonomi nëntë herë më e madhe.

Dhe, ndonëse të rënda, sanksionet perëndimore nuk bëjnë asgjë për të ndryshuar faktin se Rusia ka ende të ardhura të konsiderueshme (nëse reduktohen) nga eksporti i gazit dhe naftës së saj, ndërsa Ukraina mbetet shumë e varur nga ndihma ekonomike dhe ushtarake perëndimore.

Por madhësia nuk është gjithçka. 13 koloni amerikane mposhtën Perandorinë Britanike. Vietnami i Veriut mundi SHBA, Bashkimi Sovjetik nuk mund të fitonte në Afganistan. Perandoritë bien dhe vendet e reja çlirohen kur popujt e tyre luftojnë të bashkuar. Kjo është arsyeja pse kanë mbetur vetëm pak perandori.

Gjatë vizitës sime, forcat ukrainase bënë përparime mahnitëse – dhe tani ekziston një skenar shumë real në të cilin pozicioni rus zbërthehet më tej. E tyrja është një ushtri kryesisht koloniale, batalionet e saj më të mira janë zbrazur rëndë nga gjashtë muaj luftë shumë shkatërruese, rreshtat po mbushen ndadalë nga rekrutë të pastërvitur nga provincat e varfra lindore.

Morali është i ulët. Ushtri të tilla mund të sillen në një pikë kthese nëse ndeshen me kundërshtarë të armatosur mirë, të organizuar dhe të motivuar.

Atëherë pyetja që lind është se çfarë do të ndizte te Putin kolapsi rus? A do të rrezikonte përgjigjen e NATO-s duke u kthyer te armët bërthamore taktike?

As amerikanët, as evropianët nuk duan ta nxitin këtë, ndaj dyshoj se ndihma perëndimore për Ukrainën do të vazhdojë në nivelin aktual, duke siguruar që lufta të zvarritet. Shumë mund të kujtojnë se Lufta e Koresë, lufta e parë “e nxehtë” e Luftës së Ftohtë, zgjati tre vjet dhe përfundoi vetëm me një armëpushim, jo ​​me paqe përfundimtare.

Problemi, megjithatë, është se Ukraina mund të mos i rezistojë një lufte kaq të gjatë.

Ushtria e saj mund të jetë duke fituar tani për tani, por ekonomia po humbet. Siç është tipike në një luftë të këtij lloji, vendi i pushtuar ka pësuar një rënie të madhe të prodhimit thjesht sepse toka dhe kapacitetet prodhuese janë vjedhur ose shkatërruar. Marrja e territorit nga Putini këtë javë përfshin një zonë me madhësinë e Portugalisë.

Në të njëjtën kohë, një e treta e ukrainasve janë zhvendosur nga lufta; më shumë se 6.8 milionë janë larguar nga vendi dhe pjesa tjetër janë zhvendosur brenda vendit. Një pjesë e madhe kanë humbur punën, shtëpitë – jetën e tyre.

GDP e Ukrainës u tkurr me 15.1 për qind në tremujorin e parë të 2022. Në të dytin, u tkurr me 37 për qind. Papunësia është në nivelet e Depresionit të Madh. Inflacioni, i cili e filloi vitin me 10 për qind, tani është në 24 për qind dhe në rritje.

Prandaj, nëse SHBA dhe Evropa duan një fitore të Ukrainës, nuk ka rrugë tjetër veç rritjes së menjëhershme të mbështetjes – pavarësisht rrethanave të vështira ekonomike në të cilat gjendemi edhe vetë.

Qeveria e Kievit ka nevojë për reduktim të deficitit buxhetor. Banka qendrore ka nevojë për ndihmë në shmangien e inflacionit që ka marrë vrapin. Perëndimi duhet të rrisë edhe furnizimin me armë – veçanërisht me tanke e mjeteve të tjera të blinduara, si dhe mbrojtjen ajrore, e cilat tani është nën kërcënimin e rritur për shkak të dronëve iranianë të blerë së fundmi nga Rusia.

Deri tani, Perëndimi i ka dhënë Zelenskit dhe popullit të tij të guximshëm mbështetje të mjaftueshme ushtarake dhe ekonomike për të shmangur humbjen. Por nuk po u japim ende mjaftueshëm për të fituar – dhe dritarja për fitore nuk është pafundësisht hapur.

“Pavarësisht se sa ndihmë na jepni”, na u drejtua Zelenski në Kiev, “nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme”.

Ndërsa kthehesha drejt Polonisë, e dija se e kisha gjetur atë që kisha ardhur për të kërkuar: një komb të tërë nën armë. Pas tre shekujsh nënshtrim ndaj imperializmit rus, Ukraina tani është e bashkuar nën vendosmërinë për të qenë e lirë dhe vetëqeverisëse, që është aq e fortë sa që i besoj kur thonë se nuk do të dorëzohen kurrë.

E vetmja pyetje që mbetet është nëse Perëndimi është i gatshëm të bëjë atë që duhet për t’i ndihmuar të fitojnë atë luftë. syri.net

blank

Protesta te varri i prindërve të Putinit: Djali juaj po hedh në erë shkollën… Nga Matthias Hoffmann, BILD

Ky veprim i guximshëm nuk duhet t’i ketë pëlqyer luftënxitësit Vladimir Putin.

Aktivistë të panjohur kanë lënë një notë proteste te varri i prindërve të despotit të Kremlinit. Në një faqe nga një kalendar shkollor, shkruhet në rusisht:

“Të dashur prindër! Djali juaj po sillet tmerrësisht keq. Ai po anashkalon mësimet e historisë, po zihet me fqinjët e tij dhe kërcënon të hedhë në erë të gjithë shkollën! Veproni”.

BILD ka analizuar mesazhet e fotot që po qarkullon gjerësisht në Telegram.

-Mësimi i historisë përfaqëson pikëpamjen e gabuar të Putinit se ‘Rusia krijoi shtetin modern ukrainas’. Diktatori i përdori këto fjalë në fjalimin e tij në Sheshin e Kuq pas aneksimit të paligjshëm të katër rajoneve ukrainase.

-Sherri me fqinjin përfaqëson pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putini më 24 shkurt të këtij viti. Aktualisht situata në front është katastrofike për Putinin. Trupat ukrainase po i shtyjnë rusët e keqarmatosur gjithnjë e më shumë, madje ata kanë rrethuar ushtarët rusë në qytetin e rëndësishëm strategjik të Lyman.

-“Të hedhësh në erë të gjithë shkollën” është një referencë ndaj kërcënimit të Putinit për të përdorur armë bërthamore në luftën e tij të pakuptimtë. Tirani tha më 21 shtator: “Nëse integriteti territorial i vendit tonë kërcënohet, ne patjetër do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë. Ky nuk është një bllof”. Krerët e shteteve si Joe Biden dhe Olaf Scholz e kanë paralajmëruar Putinin kundër përdorimit të armëve bërthamore dhe kanë kërcënuar me pasoja katastrofike.

Prindërit e Putinit- Maria (1911-1998) dhe Vladimir (1911-1999) janë varrosur në varrezat Serafimovski në Shën Petersburg. syri.net

blank

Aneksimi i Putinit është një përpjekje për të ndryshuar faktet në terren – Nga Steve Rosenberg, BBC

 

Këtë javë, një gazetë ruse, Moskovsky Komsomolets, arriti në përfundimin: “Vladimir Putini nuk ka ku të tërhiqet. Pra, ai do të vazhdojë të sulmojë”.

Vendimi i Putinit për të aneksuar katër territoret ruse (të inkorporuara në Kremlinspeak), është ofensiva e fundit e presidentit rus në betejën e tij me Ukrainën dhe Perëndimin.

Nëpërmjet aneksimit, Kremlini po përpiqet që të ndryshojë faktet në terren (në një kohë kur Rusia ka humbur terren në Ukrainë). Zoti Putin dëshiron të paraqesë një fakt të kryer para Kievit dhe Perëndimit.

Kjo e ngre në mënyrë të konsiderueshme stekën në përplasjen e presidentit rus me Ukrainën dhe botën perëndimore.

Aktiviteti në Kremlin ishte organizuar me kujdes për efekt maksimal patriotik: shumë duartrokitje për presidentin nga publiku i ftuar, një interpretim nxitës i himnit kombëtar dhe zoti Putin bashkë me katër administratorët e emëruar nga Kremlini në territoret e aneksuara duke shtrënguar duart dhe brohoritur: “Rusia”, së bashku me të gjithë në sallë.

Por ky deklarimi se ‘kjo është toka ime tani’ nuk e bën të fakt të kryer. Sidomos në dritën e të ashtuquajturave referendume që nuk ishin aspak të vërteta. Ato ishin ngjarje të konceptuara nga Kremlini, të kontrolluara nga Kremlini, të dizajnuara si një perde tymi për Moskën për të rrëmbyer 15 përqind të territorit të Ukrainës. Ukraina nuk do e pranojë këtë aneksim; as komuniteti ndërkombëtar në tërësi.

Në fjalimin e tij, Vladimir Putin tha se Shtetet e Bashkuara kanë krijuar një ‘precedent’ duke përdorur armë bërthamore kundër Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Ky koment nuk do të ketë kaluar pa u vënë re nga qeveritë perëndimore.

Shpërthimi bërthamor i Rusisë ka shkaktuar shqetësim në Perëndim.

Por kjo gjë ka nisur të shqetësojë edhe njerëzit brenda Rusisë. Këtë javë, një editorial në gazetën kryesore të vendit, Nezavisimaya Gazeta, kritikonte ‘zyrtarët e lartë rusë’ që po lëshojnë ‘kërcënime bërthamore’.

“Është e pabesueshme që sot… zyrtarë të rangut të lartë në Rusi po flasin për butonin bërthamor,” thuhet në editorial. “Ata e bëjnë këtë gjë pa e menduar dy herë. Ata madje harrojnë që të theksojnë gjënë më të rëndësishme që duhet të dëgjojë bota: Sigurisht, ne nuk duhet ta lejojmë këtë në asnjë rrethanë”.

“Të lejosh, me mendime dhe fjalë, mundësinë e një konflikti bërthamor, është një hap i sigurt për ta lejuar atë në realitet”.

Ajo që më goditi më shumë nga fjalimi i aneksimit i presidentit Putin ishte se ishte i mbushur me retorikë antiperëndimore. Presidenti rus duket i vendosur për të nxitur ndjenjat nacionaliste, antiperëndimore në vend.

Është një devijim i dobishëm nga problemet në shtëpi dhe fushëbeteja e Ukrainës.syri.net


Send this to a friend