VOAL

VOAL

ILIRIADA E ILIRISË – Poezi nga ATDHE GECI

August 14, 2019

Komentet

Të du Kosovë Poezi nga Elida Buçpapaj

Kam nigju për ty Kosovë

që kur isha fmijë kopshti

4-5 vjeçare

Kur e kishin akuzu babën tim

poetin Vehbi Skënderi

si bashkëpunëtor të armikut të klasës

e kishin pyt edhe për ty

Kosovën e kam në zemër

asht përgjigj im atë

E atëher e kishin akuzu edhe si nacionalist

Unë fmija që nigjojsha

gjithë sy e veshë

prej atij çasti nisa me e

përfytyru Kosovën

si diçka shumë të jashtëzakonshme

që Baba im e mbante përherë me vete në zemër

Ai në zemrën e tij më mbante mua

Dmth Kosova ishte diçka si unë

një fmijë,

pyesja unë fmija veten

Po pse unë nuk e njoh

Pse im atë nuk na e ka sjellë në shtëpi

Por ajo që kuptova prej asaj dite

ishte se Baba im e donte fort Kosovën

dhe unë po prej asaj dite kam fillu me e dasht

Kosovën

me e mbajt fort në zemër

pa e ditë se çka asht!

Sikur Baba im

poeti Vehbi Skënderi

të du Kosovë!

 

Zvicër, 2018

(Poezia është marrë nga Ujshëm, libri poetik i Elida Buçpapajt, botim i Onufrit, 2019)

Kosova mon Amour Poemë nga Elida Buçpapaj

Kosovë
sot po vjen e gjitha
n’Prishtinë
i madh e i vogël
edhe fmijtë
në barkun e Nanave
po vinë

 

prej gjithë anësh
po vjen Kosovë
n’Ulpianë
po zgjohesh para agimit
natën po e ban ditë
andërr dashnie
me mbjellë farën
gjumin hapa dhe ecje
ditën po e ban rrugë
me ardh n’Prishtinë
nga çdo cep e kënd
me ia tregu fytyrën tënde të lodhun
të keqes
përtej horizontit
që e ndave me luftë prej trupit tënd

 

fytyra jote
e bukura e dheut
me relieve dhimbjesh,
rrënjët e tua
magmë vullkanesh
prej eshtrash
mijevjeçaresh
janë miliona sy
prej fytyrës tënde
që të ndjekin nga qielli
e bahen sytë e natës
prej atyne syve
janë kriju yjet
me ndriçu
udhëtarët e pyjet

 

Kosovë
lule shkambore dardane
rrënjosur në tokën
e ngrimë pjellore
lule diellore
mos e prek
që shkrin acarin
e akujt i kthen në lumenj
që s’rreshtin së
rrjedhuri jetë prej jetës
kurrë
Kosovë dje, sot, nesër
mon Amour!

 

sonte Kosovë
të gjitha andrrat
i kam pa tuj hypë
nëpër avionë
nëpër gjithë
aeroportet e Zvicrës
nga Gjeneva, Zürichu, Baseli
me destinacion
Prishtinën
e tuj zbritë tek Adem Jashari
që ka dalë vetë
me më pritë

 

t’kam zili Kosovë
se ke qenë gjithmonë
e çume në kambë
në kohë pushtimi
e në kohën e dreqit
e kjametit
dhe sot vjen valë valë
si valët e detit
Jon e Adriatik
nga frymon shqipja
shqip

 

t’kam zili Kosovë
se m’ke mësu
me e dasht lirinë
m’ke mësu
me ndejt e çume në kambë
edhe fjetun,
edhe dekun

 

t’kam zili Kosovë
se çohesh përpjetë
pishë malsore
e lartë e drejtë
edhe kur t’lanë
pa bukë e ujë,
zdathë
me barkun thatë
nga hiri mbin
ti prapë e ma lartë

 

t’kam zili Kosovë
që nuk shterr forcash
me u ngritë
sa herë t’rrëzojnë
sa ma poshtë bjen
aq ma lart ngrihesh
mos m’u rrzu ma kurrë
Kosovë mon amour

 

desha me qenë
me ty Kosovë
me ty jam mish e shpirt
prej nesh asht krejt bota
zjarri, ajri, uji e toka

 

t’kam zili Kosovë
se e keqja
boksiere e sprovume
nuk t’shtrin
për tokë
e keqja zhbëhet
para teje
lule shkambore
shkamb alpesh
e fortë

 

me ty kam qenë
Kosovë
në jetët
pararendëse
me ty jam
edhe sot e gjithmonë
bashkë jena
n’Prishtinë
tek sheshi Skënderbe
ku takuam
Çun Lajçin
apo n’Prizren
n’Kosovë frymoj
ajrin e pastër
me erë lulesh e bjeshkësh
që ka thith
Bogdani, Isa, Jusufi,
Ademët, Agimi e Ibrahim Rugova
kush frymon n’Kosove
bahet me krahë
e vetë jeta merr fletë
në qershor, n’shkurt,nandor
n’Ulpjanë, Dardani
ku knon lahuta e kërcejnë
tupanat
n’Drenicë, Mitrovicë
Gjakovë a Prishtinë
gjithmonë, gjithherë
e gjithkur
Kosovë mon amour!

 

Prishtinë, 2018

*Pjetër Bogdani, Isa Boletini, Jusuf Gërvalla, Adem Jashari, Adem Demaçi, Agim Ramadani, Ibrahim Rugova

* Kjo poemë është përfshirë në librin e autores Ujshëm, Onufri 2019

 

MIRËMËNGJESI, KOSOVË, E BUKURA IME!- 12 poezi për Kosovën nga ALBERT HABAZAJ, Vlorë

 

Nderim 17 Shkurtit, Ditës të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

.

1. KЁNGЁ PЁR FLAMUR

.

Përshëndetje Pavarësisë së Kosovës

.

Oj, Kosovë, o krah’Shqiponje
Krah’ rrebeshesh i plagosur,
Siç kam ty ti në  tonat troje
Kam Çamërinë sakatosur.

.

Vjen me frymë Perëndie
Përreth Sheshit të Flamurit
Yjësia e Lavdive,
Ku zihet Besa e Burrit!

.

Tok me Ismail Qemalin
Qëndron baca Boletin –
Emblema jonë krenare
Dhe kur ndrin a bubullin.

.

Prishtina ime është Vlorë
Edhe Vlora ësht’ Prishtinë.
Për FLAMUR po thur kurorë,
Këngë yjesh për SHQIPTARINË.

.

Sheshi i Flamurit, Vlorë, 17 Shkurt 2008

.

2. MIRËMËNGJESI, KOSOVË!

.

Mirëmëngjesi, Kosovë, moj e bukura ime,
Si dritë e bukurive më je veshur fisnikërisht,
Si shqiponjë dardane merr fluturime,
Me dritë të do Labëria, me spektër, sinqerisht!

.

Me dritë të do Vlora e Shqipëria,
Me dritë dhe Çamëria, krahu i plagosur.
Feniksi Dardan merr frymë nga Iliria,
Me klithmat e diellit ende brengosur.

.

O dhembje krenare, E Bukura e Dheut,
17 Shkurti yt është edhe imi,
Herë si zanë mitologjike, herë si Prometeu,
Ma shkëlqen emrin me rreze besimi.

.

Dhe kur vdekja këndon shqip në këto vise,
Dhe kur, vetvetiu, dasma qan shqip me lot lavdie,
Kur globi, me njerëz i populluar, merr ndonjë krisje
Çuditërisht, Kosova i fal mimoza mirësie…

.

3. GËZUAR, KOSOVË E PAVARUR!

.

Kosovë e dashur mijëravjeçare
Datëshpalljen e Pavarësisë tënde
Ta gëzojmë, moj shqiponjë krenare!
Kuçedra serbe në tërbim të çmendet.

.

Moj fisnikja ime e bukur dardane,
Mallëngjimi i festës me lot diellor
Plot ma mbush zemrën, moj kapedane.
Sot unë kam zënë qiellin me dorë!

.

Motër martire e lirisë, e nderit,
Jam kryelartë me ty e këndoj me gaz.
Shpirti im me shtatë ngjyrat e ylberit
Zbukururohet sa lugati serb të pëlcasë!

.

Plastë nga ligësia, derri i derrit,
O moj luanesha ime e fortë!
Shkjau – në fund të rrathëve të ferrit,
Ne – Flamurin Kombëtar kemi kryezot.

.

Ty, Kosovë e pavarur në ballë
Të vargut, të këngës, të lavdisë të kam.
Is’ Boletinët, Adem Jasharët gjallë
I mbaj në gjakun tim, se gjak i tyre jam!

.

4. BALADË E RE PËR NJË LEGJENDË TË RE

.

nderim heroit kosovar Adem Jashari

.

Kjo tokë filloi të mësohet me dhembjen,
Me ëndrrat mbështetur në murin e pushkatimit:
Hiena zgërdhihet kur shuan një familje,
Zogjtë e bjeshkëve e ndalën fluturimin.

.

Ende plagët e lirisë kullojnë gjak,
Dhembjen nuk e nxen dot pentagrami epik,
Një det me lot rreh të thinjurat dallgë
Për Adem Jasharin si Muji kreshnik.

.

Për Adem Jasharin, që si Mic Sokoli
U ngrit për Drenicën sipër, mbi legjendë,
Për atë që fjalën dardane e foli
Si bajraktar mbi hark dielli të prerë.

.

5. RRËNJËN E KËRKON DHEU

.

– Yllit të madh dardan të kinematografisë botërore, Bekim Ibrahim Fehmiu –
(1. 06. 1936 – 15. 06. 2010)

.

Pa e takuar as dhe një herë titanin,
Pa hapur as dhe të filmave manuale,
I kam pirë dollinë me adhurim pagani,
As ngaqë u shfaq me Claudia Cardinale.

.

As yjet botërorë, me të cilët lozi
S’patën autoritet tek unë, sinqerisht jo.
Arti i Tij drithërues keq më marrosi,
Ai detin e Kulturës e çau si Hero!

.

As dhe seriali “Përgjithmonë Xhulia”,
As “Odiseja”, ku Ai qe vetë Ulisi,
Nuk më tunduan dot për të më prishur mendjen
Sa dinjiteti i pashkulur i Atij lisi.

.

Dhe kur e ngjeshi nën këmbë sojin sharlatan
U bë rrënjë e zgjimit në zemër të dheut.
Dhe nga Lumbardha Prizreni hirin i shpërndan
Të sjellë bekim për ujërat e Mesdheut.

.

Fregata kosovare në dallg’, tym e stuhi,
Bëhet shqiponjë mali e shqiponjë deti
Dhe fluturon qiejve të botës si verì
T’i përmbushet Bekim Fehmiut amaneti.

.

Iku një njeri i bukur e burrë i bukur,
Iku një artist i bukur globit fluturim,
Eshtrën e Kombit me palcë për të mbushur
E vetë për t’u mbushur me shkëlqim e trishtim…

.
Vlorë, e hënë, 23. 08. 2010 – e enjte, 02. 06. 2016

.
6. RAPSODI TRIMËRORE PËR HERONJTË E KAÇANIKUT

.

Dëshmorëve të Lirisë së Kosovës: Agim Bajrami, Besnik Begunca, Xheladin Kurtaj me trima

.

Çdo ditë jave, muaj’, viti,
Çdo dit’ të jetës që kemi,
Me dhembje e plagë shpirti
Tek dëshmorët tanë vemi.

.

Dhe jo vetëm çdo dhjetë gusht,
Jo vetëm për t’i kujtuar,
Shkojmë e mblidhemi një grusht,
Na vjen turp për t’i takuar…

.

Kemi gabuar me ta,
Me ata që u bënë fli,
Ëndrrabukurit sa s’ka,
Sakrificat për liri.

.

Apo jo, komandant Zefi,
Agim Bajrami i qeshur,
Ti s’e dhe jetën nga qejfi,
Re dëshmor për të mos vdekur.

.

Se të deshi Nënë Kosova
Ty, Besnikun, Xheladinin,
Po kaq shpejt nuk e mendova
Gjethet e lavdisë të binin…

.

S’ bien gjethet e lavdisë,
Le të zvarriten zuzarët,
Si bishtok’ të neverisë,
Ju për ne jeni krenarët.

.

O Agim Bajram me trimat
E Ushtrisë Çlirimtare,
Me kërrab’ zut’ vetëtimat
Për Kosovën legjendare.

.

Rroba ngrin e shkrin në trup,
Ju – përleshje me rrufetë,
Një cifël u zë në sup,
Klithma qielli derdhën retë.

.

Dimër të mos kish’ Kosova
U bëtë legjendë lirie,
Fluturim për shqipet tona
Përmbi kreshta shqiptarie.

.

Ngrohtësi qe ideali
Historia përsëritet,
Kur lindin shqiponja mali
Perandoria tronditet:

.

Legjenda Idriz Seferi
Mbi osmanë bëri kërdi,
Ti, Agim Bajram si dreri –
Mbi barbarin serb të zi.

.

Fryma jote në tri jetë,
O yll i bukur i botës!
Njërën e gëzove vetë
Dhe dy ja fale Kosovës!…

.

Vetëm 36 vite
Bëre komandant Agimi,
Sot ndriçon me rreze drite
Në monument përjetësimi.

.

Komandant Zefi, lavdia
Të ka marr’ në krah’ të saj,
Përcjell trimin pavdekësia
Stafetë nderi skaj më skaj.

.

Eshtër e Adem Jasharit,
Ti i mposhte mbret e krajle,
Dhe për fisin e shqiptarit
Mbete spaletë morale.

.

Nga Kosova, Çamëria,
Shfaqesh ëndërr e lirisë,
Nga Dibra, Plava, Gucia –
Majave të historisë,

.

Nga Kaçaniku në Vlorë
Nderi yt i larë me diell,
O trim i zgjedhur me dorë,
Emri yt flamur në qiell.

.

Kujtesa historike më zgjoi ndjenjëzën poetike për të thurur dy vargje shpirti Dëshmorëve të Kombit, që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës më 10 gusht 1998.
Nderim për Ju, Heronj të Shqiptarisë, me përulje të thellë dhe vëllazëri kombëtare!

.
7. TUNGJATJETA, ILIR SHQIPTARI!

.

(Kur isha mërgimtar në Itali, duke dëgjuar kasetën “Shkëlqimi i plisit”)

.

Në malësitë xheloze akuilane,
Mes një gjelbërimi të ftohtë e të errët,
Dëgjoj këngën shqipe të Ilir Shaqirit;
Kraharori më hapet si qiell i çelur.

.

Dhe mendoj, në vend të huaj, se Shqipëria
Lindi pishtarët që u tretën si qiriri,
Sot, kur në hall ësht’ e ka nevojë NËNA,
Një rilindas i ri bëhet Ilir Shaqiri.

.

Kosovë e Çamëri, Ulqin e Dibër ngrysur,
Jemi tanët që këndojmë e qajmë shqip;
Gjurma e pëllumbit në paqe të hidhur,
Këngën dhe ëndrrës në grykë ia lidh…

.

Të faleminderit, Ilir Shaqiri!
Tungjatjeta, o i miri Ilir Shqiptari,
Plis i vure si kup’ shpirtit të qiellit,
Të bardhë si bora, të shtrenjtë si ari.

.

Të faleminderit, që më mbushe me besim,
Ma freskove krenarinë, s’ma le të thahej.
Shtatë kontinente larg mendimin loti ma lag:
Shqipëria të bëhet, në këmbë të mbahet!

.

L’Aquila, 08. 10. 1998; Copitto, 16. 12. 1998; Vlorë, 08. 06. 2016

.

8. PËR JU, YJE TË GJAKOVËS

.

Yjet që ran’ për Gjakovën,
Dritë bëjnë për Kosovën,

.

Bekim nga Liria paçin,
Thonë Shqiponjat e Tërbaçit.

.

Ata ranë po janë gjallë,
I ka Gjakova në ballë.

.

Nuk harrohet historia,
Pa gjak, jo, nuk vjen liria.

.

Po ju, o trima të bukur,
Nuk luftuat për t’u dukur.

.

Dhe pse dhemb ajo masakër
Zjarri s’u shua në vatër.

.

Ratë për më fisniken ëndërr,
Ju vijmë me dorë në zemër.

.

Kur ju na erdhët si lule,
Kombi në gjunjë ju ulet.

.

Jeni lavdi me kurorë
Sot në këtë përvjetor.

.

Jubileu i Çlirimit,
Ju-në krahë të paharrimit.

.

O ju, yjet e Gjakovës,
Përjet’-në krahë të Shqiponjës.

.

9. HIMNI LIRIE

.

Për dëshmorët e Kosovës

.

Këngën me ligje fillova:
Sot si diva ju po flini,
Sa u desh Nënë Kosova,
Sa e do nëna të birin.

.

Çdo ditë jave, muaj’, viti,
Çdo dit’ të jetës që kemi,
Me dhembje e plagë shpirti
Tek dëshmorët tanë vemi.

.

Ne me ju jemi krenarë,
Ju si spaleta lavdie,
Për të gjithë shqipëtarët,
Ju jeni yje mbi yje.

.

Këndojmë me lot për trimat
E Ushtrisë Çlirimtare,
Me kërrab’ zut’ vetëtimat
Për Kosovën legjendare.

.

Ndriçoni me rreze drite
Në monument përjetësimi.
Shkojnë vjet e vijnë vite
Për ju më  lart’ nderimi.

.

Yjet e bukur të botës,
O ballëlarët me diell,
Jetën ja falët Kosovës!…
Dhe emrin flamur në qiell.

.

10. BEKUAR NGA MAL’ I ÇIKËS!

.

-valle e kënduar grash-

.

Valle si nga anët tona,
Do hedhim bashk’ me shqiponja.

.

Ju, shqiponja fluturoni,
anemban’ shqipet uroni.

.

Flamur i trojeve tona
Nuk njeh kufij për shqiponja.

.

Ismail Qemal Flamuri
Gurin në themele vuri.

.

Urimet nga Këndrevica
Çoini tutje nga Drenica,

.

Që nga Tuzi në Tetovë,
nga Preveza në Gjakovë.

.

Ju shqipe që fluturoni,
anemban’ Shqipen uroni.

.

Kush bie rrezet e dritës
U bekoft’ nga Mal’ i Çikës!

.

11. FLUTURIM LIRIE

.

Këngë elegjiake për Dëshmorin e Atdheut Skerdilajd Bardhyl Llagami (Komandant Shpendi): Tiranë, 31 tetor 1969-Bogovinë, Tetovë, 29 Qershor 2009

Teksti: Albert Habazaj, këngë elegjiake për Dëshmorin e Atdheut Skerdilajd Bardhyl Llagami (Komandant Shpendi): Tiranë, 31 tetor 1969 – Bogovinë, Tetovë, 29 Qershor 2009; kënduar nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”,
marrëse: Antoneta Goxho Mehmetaj dhe Evgjeni Habili Seferaj,
kthyese: Shpresa Kapo Çelaj,
hedhëse: Hava Çelaj Muçaj,
në iso: Liri Gaçe Shkurtaj, Liljana Rrapi Kapaj, Meme Ribaj Habazaj, Fatmira Hodo Skendaj, Flutura Nanaj, Lavdie Goxho Xhaka, drejtues artistik Albert Habazaj;

.

Vanë njëzet vite
Skerdilajd i motrës,
Të kërkoj si qyqe
Qiejve të botës.

.

O Shpirt, elegjinë
Ta këndoj me vaje,
Mbulojë ke lavdinë
O vëlla me halle!

.

Lirinë zbukuruar
Me gjak tënd e kemi.
Ku ke fluturuar
O Komandant Shpendi?!

.

Dhe mali nga vendi
Luajti nga dhëmbja,
O Komandant Shpendi,
Shpendi yn’ me ëndrra!..

.

Si zog të pranverës
Tirana të nisi,
Lugin’ e Preshevës
Një yll ta qëndisi.

.

Prizreni, Tetova,
Sipër, mal i Sharrit,
Me shpresa të njoma,
Trim i Idealit.

.

Dhe në Bogovinë
Një dre po derdh lot,
Kurorë me dafinë
Të thur motra sot.

.

Luan guri vendit
Gur shkëmbi Babai,
Amanet i Shpendit
Jehon skaj më skaj…

.

12. SHQIPËRIA E PARË

.

Çfarë bëri me trimat Ismail Qemali
e di dhe gjyshi, dhe babai, dhe djali:
që ndezi zjarrin e shtëpisë shqiptare,
kur dinakët donin ta shuanin fare.

.

Por Shkodra, dhe Lezha, dhe Kruja, Kanina,
Prizreni, dhe Shkupi, dhe Ohri, Janina,
Plaku i Bardhë dhe Luigji Mendjeqiell,
Baca Is’ e Rasih Dino na mbushën me diell.

.

Marigo Posio stafetën e Elena Gjikës,
e ngriti si kurorë të bukur të Dritës.
Dhe Qirinjve të Atdheut u falem unë,
larë me diell, qëlluar me furtunë.

.

Dhe Dibra, dhe Delvina, dhe Hasi, dhe Hoti,
Dhe labi, dhe malësori kanë frymë Kastrioti,
Dhe çami, dhe myzeqari, dhe ulqinaku qëkur
Janë firmë lirie e këngë për Flamur!

.

Se me centaurët Europa rrufjane,
Kasandra me Pandorën europiane,
e plakur, e egër, marrëzisht e bukur
na ka dashur, na ka flakur e na ka ndukur.

.

U tkurr, u mpak, u mplak e nuk u gremis Nëna,
u trondit në flakë e nuk iu thye zemra.
Dhe deti, dhe fusha dhe maja e malit
si balli i bardhë i Ismail Qemalit.

.

Se s’është Vlora si Meka e Muhametit,
është anije e bardhë në mes të rrebeshit;
s’është Vlora as Bethlehem i Krishtit,
është vatër e mendimit dhe rrufe e gishtit.

.

Vlora është Vlorë, me dritë mes ciklonit,
është djepi ku u përkund palca e kombit;
është bërthama diellore e Flamurit,
me shqiponjën që fluturon mbi gjakun e burrit.

.

Vlora është magje e bukës kombëtare,
Është tharmi i mbrujtur në zemrat shqiptare.
Është rrënjë e besim dhe vizion në shikim,
është eshtër e dinjitetit të kombit tim.

.

Urata e Plakut, si mirësi e ullirit,
u mbjelltë e shpërtheftë si lulet e prillit!
O ju zogj të Shqiponjës, po ju flas sinqerisht:
sot Pavarësia Flamurëron Vlorërisht!

.

Sheshi i Flamurit, Vlorë; 28,
Vjeshtë e tretë, 2020

Mos vallë dashuria ngrihet me llahtarën e botës së çmendur! – Fragment romani nga Kristaq Turtulli

Nje  fragment për ju miq të nderuar të Fb nga romani  TULIPANI I KORESË botimi i pare 16 shkurt 2010 botimi i dyte Engjëlli i Korese 16 shkurt 2018 ne vjetoret e botimit, dhe ditës së dashuruave.
            Vajza u skuq e vështroi me bisht të syrit dhe, eci përpara me hapa të shpejtë. Ai mbeti disa hapa larg saj. Trupi i hijshëm i vajzës e bënte ta dëshirone ta prekte,  përkëdhelte, puthte. Lëkura bardhë e ndritshme e saj e verbonte. Të jetë vallë dashuri kjo, ta hajë dreqi! Jo kurrsesi s’mund të jetë dashuri. E simpatizonte, dëshironte, e pëlqen, siç pëlqehen gjërat e bukura, por dashuri s’ mund të jetë. Ehu si është dashuria! Ai nuk donte te bëhej pre e pasioneve. Nuk thoshte kot Lasgushi i madh:
       ‘Nuk dashuroj as unë as ti por dashuron dashuria!’
       E kish parë shpesh herë plakun e mençur, të prej botës së artit, me pallton e gjatë, të zbardhur kur bariste në mbrëmje, buzë liqenit me konen e vogël. Dukej sikur lëvizte shaluar mbi një re të përhimë mbi mëndafshin e ujit, librat poetikë: ‘Vallja e Yjeve dhe Ylli i Zemrës’ i qëndronin mbi supe si dekorata madhështie.
         Vironi nxitoi hapin, eci në krah të vajzës dhe, ndjeu që dihaste.
        Vajza e vështroi pjerrët. Një hop i mbajti buzët e puthitura. Biseda e tyre po pengohej nëpër gurët e thepisura të hutimit.
      Buzët e vogla të plota, të kuqe, si dy kokrra qershie të vajzës, u drodhën.
        Vironin e mbërtheu dëshira e papërmbajtur, te puthte ato buzë të mbushura me musht, aromë luleje, pastaj le të broçkulliste sa të donte për njeriun e ri dhe mësimet e Rigoletos së vogël që fshihet në xhungën e udhëheqësit legjendar. Ta hajë dreqi, s’ka të drejtë të thithë ato buzë gjithë lëng dhe jetë. E pengonte marrëzia dhe shpirtligësia e gaztorit të gjorë, ardhur aksidentalisht prej shekullit të kaluar së bashku me tragji-komizmin. Vajza le të dërdëlliste si gjithë të tjerët për idealet e shenjta dhe flakët e mëdha që ndriçojnë botën. Vallë, a ka flakë më të madhe se dashuria dhe epshi i njeriut, që shkund, thërrmon male e than dete?
           Vajza u gëlltit dhe, eci djathtas drejt klasës së baletit, megjithëse ishte akoma herët për të filluar provat. Ata hynë brenda, ambienti i sallës së baletit ishte i qetë. Vironi i mori me kujdes dorën e vogël, të bardhë të May Lee-së, e mbajti një copë herë mes dy pëllëmbëve, filloi ta përkëdhelte lehtë. Vajza dridhej, ajo donte të largohej, por nuk mundte, sytë e saj ishin të të trembur, por diku në cepa fshihej një ngazëllim i thellë. Vironi e tërhoqi vajzën butë, gati ma ndierë, drejt cepit të klasës, ku nuk binte shumë në sy. Ajo pa e kuptuar e ndoqi pas, ishte krejt e mpirë, e hutuar. Ajo kishte filluar të ndjente rrahje zemre për këtë djalosh të pashëm, të mirë, prej një vendi shumë të largët. Për dreq ajo kish frikë, shumë frikë, tmerrësisht frikë. Kjo frikë e bënte të dridhej si purtekë dhe e llahtariste në gjumë.
        Vironi ngriti me shumë kujdes doçkën e vogël, bardhoshe, delikate të vajzës dhe e vendosi pranë faqes së vet. E puthi.
       – May Lee, të lutem më thuaj, vallë me nuk kemi të drejtë të duhemi?- e pyeti ultazi, dhe e pa drejt në sy.
         Vajza u rrëqeth, lëkura iu prushërua. Faqja e ashpër e mashkullit i shkaktoi mornica. Mornicat i kaluan si elektroshok në brendësi të trupit. Nuk dinte çfarë të thotshte, ajo ndjehej e përfshirë nga një zjarr i madh. Nuk kish njerë kurrë më parë në jetë llavën e zjarrtë që derdhej furishëm në të gjitha pejzat e trupit. Vajza e ndrydhte me forcë ndejnjën e zjarrtë,  epërzinte me trishtim, me pendesë të heshtur, me nervozizëm, me dhunë vrullet dhe emocionet e shpirtit për djalin e huaj, që trokiti në dritaren e shpirtit të saj.
        May Lee e kish vendosur me ngulm, me inat të verbër, me dhembje të brendshme. Ajo ishte betuar me heshtje, gjunjëpërkulur, duarshtrenguar, buzëtharë, përpara se të binte të flinte. Në asnjë mënyrë, të bëhej pre e ndjenjave të brishta, emocioneve, zjarreve gjithëpërfshirëse, që të çojnë në rrugë të gabuar ku s’mund të merren me mend pasojat. Ajo qau mbytur, kafshoi buzën, mbledhur kutullaç në shtroje, ngaqë betime të sinqerta në buzë të mbrëmjes ose në prag të mëngjesit, vijnë prej gjykimit të ftohtë. Ndërkohë ndjenjat buronin prej tajfuneve shpirtërore dhe s’kish zot ti ndalte. Këtyre dallgëzimeve oqeanike kërkonte me ngulmim tu vinte frerin, ti bënte zap si kuaj së azdisur. Butësia, bukuria, mirësia e djalit e çarmatosnin sa herë gjendej pranë tij. Ja rrëzonin, thërrmonin në çast muret e larta të kështjellës së frikës dhe të pasigurisë…
        Vironi iu afrua vajzës pranë. May Lee përshkundi kryet, ndjeu frymëmarrjen e tij të shpeshtë, ajo do të largohet me vrap, nga sytë këmbët, mos kthejë kokën prapa, por nuk mundet, ndjehet e pranguar dhe afshi pështjellues që ishte ndehur në dhomë. Po qarkohet prej avujve të nxehtë, ajo vuri dorën në zemër. Gjoksi i saj ngrihej dhe i ulej me shpejtësi, ishte e përfshirë prej zjarreve të mëdha, këmbët i qëndronin të mpira si trungje, s’mund të lëvizte…
          Vironi e vështroi ngultas, iu duk sikur ballit i bukur i vajzës ishte mbushur me margaritarë të vegjël, me shkëlqim verbues. Ai kapsalliti sytë dhe, pa e bërë të gjatë hodhi krahun rreth qafës së saj të derdhur, e puthi në buzë. Ishte puthje e lehtë, me majat e buzëve si një puhizë dhe fllad pranveror, që ndjehet lehtë, ëmbël, por që shungullon sythet e virgjëra të brishtësisë. Ata s’e kuptuan në morën frymë, thithën ajër, apo është pjalmi i parë i nektarit që i shkundi dhe i bëri me flatra. Të sy u puthën përsëri fort, me sytë e mbyllura.
        Të dy ishin të hutuar, nuk e kuptonin akoma se bashkimi i buzëve të tyre ishte një fushë e papërballueshme magnetike. Krahu i tij shkoi pak poshtë, në gjoksin e të vogël dhe të plotë të vajzës, gishtat e tij lëvizën drithmaz, prekën lehtë, me ndrojtje, gjithë delikatesë, përfshinë topthat e vogla. Vajza  u drodh, u ndeh, fërgëlloi, mbylli sytë, u kapërdi. Ishte e hera e parë në jetën e saj që puthej dhe prekej nga një mashkull nën drithërimën e mrekullueshme të ndjenjes…
         Ajo nuk do të mendojë asgjë, në trurin dhe zemrën e saj u ndeh pëlhura e freskët e dashurisë. Lëvizi qafën ngadalë dhe afroi kokën pranë shpatullës së djalit, buzët e saj u hapën dhe priti e etur puthjen e furishme të djalit. Të dy janë përfshirë, përhumbur, ata donin të shijonin deri në fund puthjet e para të zjarrta. Buzët e djalit lëvizën gjithë etje në buzët e zhuritura të vajzës, ajo po përvëlohej e tëra, i mbahej fryma, krahët iu varën, i vinte zali.
        Oh nëne! Sa vullkane shpërthyen në mendjen e saj në ato çaste!? Sa ajsbergë u shkrinë, u copëtuan dhe kodrat e zbutura të akujve filluan të enden në oqeanin e hutimit! Gjuha e lagur e djalit lëvizi mbi buzët e vajzës si të zbuste sado pak llavën e zjarrtë, por nuk qëndroi aty, gjuha e tij kërkoi me ngulm të hynte brenda, të thithte lëngun e mrekulluesh prej gojës së saj,dhe të tresë përfundimisht mjegullën e ngurtësuar. Vajza u shkund e gjitha, gjuha e tij lëvizte me shpejtësi brenda gojës dhe, u bashkua me gjuhën e saj. Ajo ndjeu të eksitohej, i vinte për të qarë, të klithte. I hipi dëshira ta prekte, ta ndjente të dashurine  saj. U shtrëngua, u ngjesh mbas tij dhe e puthi e thëthiu me afsh…
     – Viron, – pëshpëriti ajo pa hapur sytë.
      – Fol shpirt, – ia foli ai ultazi.
        – Oh! Të lutem më thuaj; ç’është kjo, dashuri apo lojë e çmendur midis jetës dhe vdekjes!? – Vajza heshti një hop, hapi sytë ngadalë, si të trembej se mos zhgënjehej. Vështroi djalin drejt në sy dhe shtoi: – Mos u tall, të lutem mos u talll.Vërtet ju më doni shumë?
        – Po May Lee, të dua shumë, shumë. Sa gjithë bota.
        – Ah! Jam e lumtur që më do shumë, – mërmëriti ajo dhe shtoi si psherëtimë: – Oh Zot sa e trembur, jam shumë e trembur. Tmerrohem që të dua kaq shumë. Më beso, kam frikë, shumë frikë. Mos vallë dashuria ngrihet me llahtarën e botës së çmendur!
KRISTAQ@ TURTULLI
TULIPANI I KORESË botim  i parë 2010
ENGJELL I KORESË, BOTIM I DYTË 2018

SHTETI I KOSOVËS – E ARRITURA MË E MADHE NË KËTË SHEKULL- Nga Jusuf Buxhovi

-Rrugëtimi historik i shtetit më të ri në Kontinentin e vjetër, kaloi nëpër fazat e shkëputjes (çlirimit) nga Serbia, të krijimit të shtetit paralel dhe të protektoratit ndërkombëtar. Ekzistenca e tij sot është kthyer në një formulë politike, që mban stabilitetin në rajon, ndërsa çështjes shqiptare, në kuadër të sferave perëndimore të interesit, ia jep dimensionin e faktorit të pakapërcyeshëm gjeostrategjik.
Rrugëtimi historik i shtetit të Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 dhe i konfirmuar në vitin 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si proces i pandalshëm, kaloi nëpër disa faza. Fillimisht me atë të shkëputjes nga ripushtimi serb, që Kosovës iu bë me rrënimin e dhunshëm të autonomisë nga ana e Beogradit, më 23 mars 1989. Pastaj, me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, që për pasojë pati krijimin e shtetit paralel, që për tetë vite udhëheqi rezistencën insitutcionale deri te ajo e armatosur si dhe kohën e protektoratit ndërkombëtar, të vendos në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së më 10 qershor 1990.
Nuk duhet harruar se këtyre fazave u parapriu shfaqja e kërkesës për Republikën e Kosovës, në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, e ngritur nga elita intelektuale dhe politike e kohës, e cila rrëzimin e Rankoviqit dhe ndryshimet që solli klima e re politike, e pa si një mundësi të madhe për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në drejtim të subjektit federativ, me çka lirohej nga tutela e Serbisë.
Kjo kërkesë dhe zhvillimet tjera nëpër të cilat po kalonte federata jugosllave drejt federalizmit, bëri që me amendamentet kushtetuese të atij viti si dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, Kosova si krahinë, të fitojë statusin e njësisë federative, por jo edhe të republikës, ngaqë Tito nuk ishte i gatshëm për një konfrontim të mëtutjeshëm me Serbinë. Kërkesa për Republikën e Kosovës u rikthyer fuqishëm në vitin 1981, meqë Jugosllavia pas vdekjes së Titos në maj të vitit 1980, po hynte në një fazë të ndryshimeve, që paralajmëronin kthimin e saj nën mbikëqyrjen e Serbisë, që mund të fillonte pikërisht me rrënimin e pozitës së Kosovës në federatë.
Këto faza gjithsesi ngërthejnë ngjarjet dhe vendimet e rëndësishme, që mundësuan njëra-tjetrën, në përputhje me zhvillimet që rrumbullakuan këtë proces historik, ku shpërbërja e federatës jugosllave e pranuar në konferencën e Hagës të gushtit 1991, ishte si pikënisje e saj, paçka se e gjitha kaloi nëpër një luftë dhe gjakderdhje me shumë tragjedi, e imponuar nga hegjemonizmi serb nën udhëheqjen politike të Millosheviqit.
Kështu, faza e shkëputjes nga Serbia, që nga aspekti formal-juridik mund të përcaktohet “çlirim nga ripushtimi serb” në rrugë demokratike, paraqet themelet e këtij zhvillimi. Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990, ishte guri i parë i saj, meqë Kosovën e shpalli njësi të pavarur në kuadër të federatës jugosllave. Me këtë akt legjitim të delegatëve të Kuvendit të Kosovës iu dha përgjigjja e duhur dhe e drejtë ripushtimit serb, që ndodhi me rastin e rrënimit me dhunë të autonomisë më 23 mars 1989.
Ky vendim, gjithsesi duhej të përcillej edhe me aktin tjetër, po ashtu, të një rëndësie historike – shpalljen e Kosovës Republikë. Kjo u bë më 7 shtator 1990 në Kaçanik nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Kuvendi miratoi aktin më të lartë të saj – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që u quajt edhe Kushtetuta e Kaçanikut. Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e pavarur e federatës jugosllave në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, me çka i mundësohej statusi i pavarur dhe i barabartë në federatë deri të e drejta për shkëputje, siç e kishin edhe njësitë tjera federative.
Procesi demokratik i shtetësisë së Kosovës i filluar me këto dy akte, kërkonte edhe referendumin për pavarësi, me çka përmbyllej legjitimiteti i tij. Kjo ndodhi me 24 shtator 1991, me ç’rast, qytetarët e Kosovës (kryesisht shqiptarët, po edhe pakicat tjera: turqit, romët dhe boshnjakët) i dhanë përkrahje plebishitare (me 99,3%) shpalljes së pavarësisë.
Referendumi për Pavarësi krijoi rrethanat demokratike dhe juridike për ndërtimin institucional të shtetit të Kosovës në përputhje me aktet themelore – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të shpallur në Kuvendin e Kosovës në Kaçanik. Kushtetuta e Kaçanikut e shpallte Kosovën republikë parlamentare – shtet të shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë në të, me gjuhën shqipe – gjuhë zyrtare. Kushtetua e Kaçanikut përcaktoi edhe hierarkinë institucionale të shtetit nga presidenti, qeveria dhe institucionet tjera të pavarura.
Meqë Kosova ishte e okupuar nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ndërkohë që pavarësia e shpallur me aktet kushtetuese me mjete demokratike, nuk njiheshin ndërkombëtarisht, konstituimi institucional i shtetit të Kosovës duhej t’u nënshtrohej rrethanave, me ç’rast shteti paralel shfaqej si forma më e përshtatshme e rezistencës institucionale, me të cilën demonstrohej kultura shtetformuese, si një deponim i paparë në praktikën ndërkombëtare, në shërbim të ndërkombëtarizimit të saj.
Në kontekstin historik, i ashtuquajturi “shtete paralel”, që me pa të drejtë ose qëllimisht, që t’i mohoheshin atributet e shtetësisë , u quajt edhe “lëvizje paqësore”, “gandizëm” e të ngjashme, strumbullar kishte Qeverinë e Republikë së Kosovës. Ajo u themelua në fund të vitit 1991. Një pjesë e së saj do të vendoset në Shqipëri. Ndërsa disa ministri (dy në Zvicër) dhe të tjerat në Gjermani, që edhe pa njohje zyrtare, puna e saj u tolerua nga shteti gjerman. Në këso rrethanash, veprimtaria e gjithëmbarshme e Qeverisë së Kosovës në ekzil, bosht të “shtetit paralel” kishte fondit e trepërqindëshit, bazë materiale kjo prej nga, me improvizime dhe pa to, u drejtua jeta ekonomike, arsimore, kulturore si dhe veprimtaria shëndetësore deri në qershor të vitit 1999.
Ndonëse me vështirësi dhe probleme të shumta që mund ta përcjellin një punë të tillë, ngaqë në njërën anë, ajo zhvillohej në rrethanat e pushtimit policor dhe ushtarak serb si dhe të terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj çfarëdo forme të organizimit institucional, ndërsa në tjetrën anë i mungonte njohja ndërkombëtare (edhe pse heshtas nga shumë anë i pranohej de fakto roli i një lëvizjeje paqësore-autentike, që luftonte pushtimin serb në një formë tepër të veçantë, të paparë deri më atëherë), megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës, formalisht kishte vu nën mbikëqyrje sektorët kryesor të jetës, duke përfshirë edhe mbrojtjen dhe sigurinë. Kështu, në fillim të vitit 1992 formoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit, pra atë të policisë. Në të parën u përfshinë forcat ushtarake nga radhët e Mbrojtjes Territoriale të Kosovës (ushtarakë dhe oficerë të lartë që kishin shërbyer në Armatën Jugosllave). Ndërsa në të dytën, do të përfshihen forcat policore dhe ato të organeve të sigurisë, nga radhët e policisë së Kosovës dhe atyre të sigurisë, të cilat, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, nëpërmes organizimit sindikal, kishin kaluar në radhët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Këto dy ministri, do t’i nënshtrohen represionit të vazhdueshëm shtetëror serb, gjë që nga fundi i vitit 1993, pjesa më e madhe e pjesëtarëve të tyre (policë, ushtarakë dhe specialistë të tjerë të sigurisë) do të burgosen. Kjo ndikoi që Qeveria e Kosovës të pushojë përkohësisht veprimtarinë ushtarake dhe policore në Kosovës, duke u orientuar te organizimi i tyre “i përkohshëm” jashtë, me arsyetimin që kur të krijohen rrethanat, pra çastin që rezistenca institucionale të dinamizohet me rezistencën e armatosur si pjesë e strategjisë që politika të vazhdohet edhe me mjetet e luftës, të veprojnë edhe në Kosovë. Kjo, megjithatë, nuk pengoi, që nën sloganin e “mbrojtjes së shtëpisë”, të ruhet fryma e kundërvënies me anën e grupeve të shkapërderdhura, si guerilë vendore në Dukagjin, Drenicë, Llap dhe gjetiu, të cilat vepruan nga viti 1991 e këndej, prej nga, në vitin 1997 u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një faktor i cili në planin politik ndikoi që lufta e deriatëhershme diplomatike (veçmas pas Dejtonit) të zëvendësohet me diplomacinë e luftës (pas marrëveshjeve të Rambujesë). Ndërsa në planin gjeostrategjik – Kosovën dhe krizën e saj, që deri më atëherë konsiderohej “çështje e brendshme e Beogradit” – ta kthejë në agjendën e faktorit ndërkombëtar të vendosjes çoftë si çështje humanitare, meqë Millosheviqi, pasi kishte refuzuar marrëveshjen e Rambujesë, kishte filluar ofensivën ushtarake për t’iu dhënë një zgjidhje me anën e luftës, ku planifikohej edhe një gjenocid i përmasave të mëdha. Kjo legjitimoi edhe ultima ration ndërkombëtare, e pasqyruar me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga ajri ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe caqet tjera ushtarake në Serbi, nga 23 marsi deri më 10 qershor 1999, që solli çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe për pasojë pati vendosjen e saj nën administrimin ndërkombëtar të përcaktuar me rezolutën e KS të OKB-së 1244 të 10 qershorit 1999.
Pra, rezistenca e armatosur, nën emblemën e UÇK-së, përkundër ndasive të brendshme, përçarjeve dhe problemeve të shumta midis rrymave institucionale dhe jashtë institucionale, që atë e lanë pa një qendër drejtuese, paraqet rezistencën e parë të armatosur të shqiptarëve kundër soldateskës jugosllave në formën e një kryengritjeje popullore, me çka iu hapën rrugët ndërhyrjes së armatosur të NATO-s. Shfaqja e UÇK-së, shënoi kthesën historike, që i dha epilogun e duhur politik lëvizjes shtetformuese.
Vendosja e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, me ç’rast përgjegjësinë për krijimin e institucioneve demokratike të vendosura mbi katër shtyllat e sistemit juridik-parlamentar e mori përsipër UNMIK-u, ndërsa sigurinë NATO-ja, krijuan rrethanat për shtetësinë e Kosovës. Shpallja e saj më 17 shkurt 2008 nga Parlamenti i Kosovës, në të vërtetë, është një konfirmim ndërkombëtar i vendimeve që ishin marrë në verën e vitit 1990 (me Deklaratën e 2 korrikut dhe Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator) dhe vjeshtën e vitit 1991(me mbajtjen e Referendumit për Pavarësi).
Shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008, megjithatë la të hapur procesin e përmbylljes dhe të konsolidimit të tij në planin e brendshëm dhe, veçmas atë të jashtëm, përderisa Kosova të njihet ndërkombëtarisht nga Organizata Botërore, me çka ajo fiton edhe vendin e vet në të gjitha mekanizmat dhe organizatat botërore për të qenë e barabartë me të tjerët. Ndonëse Kosova, si shtet është njohur nga mbi njëqind vende (nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të NATO-s dhe ato kryesore të BE-së), megjithatë ajo ka mbetur jashtë strukturave Veriatlantike dhe të BE-së. Ngecjen këtu duhet kërkuar më shumë te shkaktarët e brendshëm, te faktori politik shqiptar dhe prirja që interesat e pushtetit të vihen mbi ato të konsolidimit të shtetit. Korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e institucioneve nga brenda me anën e nepotizmit dhe strukturave kriminale, e mbi të gjitha mungesa e shtetit ligjor, Kosovës i kanë dhënë atributet e “shtetit të dështuar nga brenda”!
Kjo gjendje ka bërë që Kosova të shikohet me mosbesim nga aleatët, që e kanë ndihmuar krijimin e tij në përputhje me interesat e tyre gjeostrategjike, (në radhë të parë SHBA-ja dhe vendet kryesore evropiane), ndërsa nga Serbia dhe Rusia, që e kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë me të gjitha mjetet, të pengohet konsolidimi i tij duke e paraqitur atë “si vatër krize”, së cilës i duhet rikthimi te “pika zero”, pra te protektoratit ndërkombëtar të përcaktuara me rezolutën 1244 të OKB-së.
Në këto rrethana, shteti i Kosovës, për t’i bërë ballë sfidave të jshtme dhe të brendshme, ka nevojë për kosovocentrizmin, si një kauzë afatgjate në shërbim të konsolidimit shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik. Kosovocentrizmi si i tillë, i shërben edhe kumbarëve të shtetit të Kosovës (SHBA-ve, NATO-s , Gjermanisë dhe vendeve kryesore evropiane). Siç i shërben edhe rajonit që ta mbrojë nga ndikimi serbo-rus për ta vu nën mbikëqyrje atë po qe se shqiptarët vetëdefaktorizohen. Por, kosovocentrizmi, mbi të gjitha i shërben edhe çështjes shqiptare në përgjithësi, meqë dy shtete shqiptare, demokratike dhe të lira, pengojnë rikthimin e koninkturave të vjetra, që u shkojnë për shtati interesave hegjemoniste serbe dhe greke.
Ndaj, është e domosdoshme, që Shqipëria, 17 shkurtin ta shpall festë zyrtare. Me këtë veprim, hiqet dorë nga formula ideologjike e shekullit të kaluar për bashkim kombëtar që ka përfunduar çastin që Konferenca e Londrës njohu shtetin e përgjysmuar shqiptarë ndërsa gjysmën tjetër të etnisë shqiptare e la nën pushtimin serbe, malazias dhe grek, por i hapet rruga një unioni të mundshëm të dy shteteve shqiptare në përputhje me vullnetin demokratik të të dy anëve dhe me pëlqimin e aleatëve perëndimorë.
Ky përcaktim gjithsesi ka rëndësi historike edhe për shqiptarët në Maqedoninë Veriore, meqë midis dy shteteve të fuqishme shqiptare, aleate të perëndimit, Maqedonia e Veriut do të jetë e detyruar që të plotësojë kërkesat e shqiptarëve për barazi kushtetuese, pra si popull shtetformues dhe assesi, si deri me tash, t’i trajtojë “si pjesë së etnisë së shkëpur”, pra si ardhacakë.

“Klonimi” i dashurisë për vendlindjen në një “Almanak”- Esé nga Përparim Hysi

LIBOFSHA në muzën e bijëve nga NAUN KULE

Autorin NAUN KULE që ka botuar këtë”Almanak” me krjuesit e Libofshës e njoh prej kohësh. Nëse tani është 80-vjeçar,60-vjet ka që shkruan. Është nga LIBOFSHA e FIERIT dhe aq ka shkruar për LIBOFSHËN dhe NJERËZIT që nderojnë jo vetëm LIBOFSHËN,por dhe FIERIN,MYZEQENË dhe deri gjithë SHQIPËRINË, sa,ngaqë e njoh penën e tij me vlerë,i kam propozuar miqësisht që mbiemrit “KULE” t’i shtojë dhe atë”LIBOFSHA”. Ky nuk është një propoziim intim,por jo vetëm i qëlimshëm,por dhe i merituar. Jam nga ato anë:LIBOFSHËN dhe gjithë galerinë e krijuesëve në këtë ALMANAK,me pak përjashtime, e njoh mirë dhe,nëse dikush ma merr sikur po ia rritë karizmën NAUN KULES, kam të drejtë të mbrohem ndaj kujtdo,duke i kundërvënë pyetjen:- A më gjeni kund një tjetër apo të gjashmin e tij që të ketë lakuar në gjithë rasat e GJUHËS SHQIPE,LIBOFSHËN dhe NJERËZIT që ia zbukurojnë ballin LIBOFSHËS? Padyshim:asnjë tjetër.
Kur shfletoj”ALMANAKUN”,më duket sikur takoj një grup njerëzish të njohur. Dhe nëse shkoi më tej:-Pse ndodh kështu me mua? Përgjigja është e thjeshtë dhe e menjëhershme:-Edhe unë jam nga LIBOFSHA! Brenda këtij pohimi që dikush vë dyshim,i përgjgjiem me një sentencë po nga MYZEQEJA që thotë:-Në një vend,po pive dyzet sapllake me ujë,je vendali!! Kam punuar tri vjet të mira në prag të viteve ’60-të të shekullit të kaluar si mësues dhe për katër vjet si nspektor në Drejtorinë Arsimore të FIERIT e kam patur LIBOFSHËN si zonën time,nga viti 1966-2000.
*
LIBOFSHA është një trevë që nderon jo vetëm FIERIN,por dhe MYZEQENË.Aty për herë të parë,në vitin 1908 është hapur SHKOLLA e PARË SHQIPE dhe guxoj të shtorj pyetjen:-Përse në LIBOFSHË dhe as në një qytei si FIERI apo LUSHNJA? NUAN KULE duke shkruar këtë”ALMANAK”,më kujton disi DEMOSTENIN e lashtë që”harxhoi më shumë vajë(ndizte kandilin) se sa verë”.Analogjia nuk është kurrë e barabartë, ama kur shoh që hulumtimet e tij si studiues,rendin deri në arkiva ku fletët e dëshmitë kanë zënë pluhur,atëherë bindesh se ke të bësh me një studiues skrupuloz. Autori zbulon që qysh në vitin 1910 në Selanik ,ZOI NDREKO LIBOFSHA ka botuar poezi shqip,ku si kredo është sentenca:”Gjuhën Shqipe ta mësojmë/Ne duam të mos e harrojmë. Ky dokument letrar NAUN KULES nuk i erdhi si dhuratë apo si një vezë e kuqe DITËN E PASHKËS. Ky zbulim flet për një krjues që nuk fle rehat. Ai sikur ka bërë të vetën atë thënien e lashtë të LUKRECIT që thotë:”Mos lini asnjë orë të shkojë kot. Bëhu ZOT i të sotmes”.

Duke sjellë një galeri NJERËZISH që nderojnë LIBOFSHËN dhe më tej,ai nuk rreh gjoksin që unë e s’ka tjetër. Përkundrazi,e lë “ALMANAKUN…” si një portë që rri hapur edhe për KRIJUES të tjerë. Nëse i ka hyrë këtij ALMANAKU,më duket se ka patur si qëllim atë që ka thënë në lashtësi CIECERONI që thotë:” O popuj ruani dhe shkruani për njerëzit e mëdhenj,se prej tyre do t’u njohë bota”. Dhe vërtet shumë njerëz nuk e dinë se ku bie LIBOFSHA;por njohin përshembull REGJISORIN e MADH KRISTAQ DHAMO dhe,përmjet tij,e marrin vesh;apo për Mësuesin dhe LUFTËTARIN,NAUN DOKO PRIFTI që arriti deri Rektor në TBILISI të GJEORGJISË dhe mund të vazhdoja dhe me personalitet të tjera të kësaj treve.
*
Duke parë me sykritk këtë libër, mund të them me plot gojën atë që thotë GËTE:”Të shprehesh me përpikëri,kjo është nisja dhe mbarimi i çdo arti”. Me autorin,NAUN KULE, duke shkruar këtë”Almanak” ka ndodhur ajo që thoshte POETI SPANJOLL.FREDRIK GARCIA LORKA(1898-1936):”Çdo libër është një oborr.Lum ai që di të mbjellë lule në atë obor se ushqen shpirtin e vetë”. “LULET e oborrit të NAUN KULES na ushqejnë edhe ne si lexues. Urime NAUN KULE-LIBOFSHA!

Tiranë,15 shkurt 2025

SA GJATË- Poezi nga Neki Lulaj

Gjatë të kërkuam ty
nëpër dregëzat e erës
nëpër katet në shkrepëtimë qielli
nëpër dhomat e reve të dendura
nëpër shtresat e motit kah dielli.
.
Të kërkuam nëpër livadhet e shpirtit
nëpër korët e tokës
nëpër poret e dritës flakërimë
nëpër ndërskëmbcat e territ
në shtegun e pritës për dashuri.
.
Të kërkuam në bebëzat e gjyshit
nëpër bulat e vesës
nëpër patalët e luleve e gjëmbit
nëpër rrënjët e gurit
nëpër bjegëzat e shkëmbit.
.
Të kërkuam në korrikun e shtatorin e sakrificës
në shallin rreth qafës te urtakut
nëpër damarët e fjalës se ndrydhur
nëpër flakën  e vuajtjeve dhe burgut
në trimërin e ushtarit.
.
Të kërkuam nëpër dyert e diplomacive tinzare
nëpër gurrat e vuajtjeve shekullore
nëpër pellgjet e hënës
nëpër koridoret e diellit
mbi valët e cunamit si ëndërr.
.
Të gjetëm në erën e barutit
po të gjetëm në Betimin e luftëtarit
në heroizmni e deshmorit
në besën e shenjët te shqiptarit
ti Liri nusja e Dardanit.

IDENTITETI IM DARDAN- Nga ATDHE GECI

Heroike është toka kur emrin e saj e thotë

përmes një Kishe, varri  apo  një faltoreje

sa lavër kam bërë mbi varr  të  Justinianit

e thotë pronari i tokës një bujk i kulturuar

më vjen të skuqem  që  nuk isha arkeolog.

Është koha Kosova  të  shkruhet Dardani

në Lokalitetin  Arkeologjik  të Dardanisë

ra kufiri me tokën  dhe  dhimbjen e dheut

ranë mitet e legjendat dhe morën arratinë

te kjo Kishë sa “Te Deume” janë kënduar

antika  jonë  është  brenda  kores së tokës.

Sa e shenjtë toka kur tregon  emrin  e  vet

mija vjet ky vend  është  quajtur  Dardani

nën koren e tokës prehen të gjitha kohërat

vajzëri e tokës  së  heshtur  është  mendje,

këmisha Justinianit afër varrit është gjetur

dhjetëra gjëra fshihen dheut të pa gërmuar.

Me 14 gusht, 2023, u  zbulua  në  Ulpianë

dedikimi i  Perandori Justinian, Dardanisë

një mozaik i shkruar  për  origjijnën  e  tij

dedikimi Perandorit Justinian  bart  porosi

që Kosova ta kthej  emrin  e  vet, Dardani.

Atdhe Geci – Prishtinë,16 gusht, 2023

Dashuria e poetit plak Giosuè Carducci me poeten e re Annie Vivanti

“Ndërsa ai po vinte të më shihte, një plakë i dha një degëz zymbyl blu dhe me këtë ai erdhi të trokasë në derën time. Kur e hapa, ai hyri brenda dhe pa folur, duke tundur butësisht atë lulen jeshile blu, sikur po rrahte kohën në një mendim ritmik, u ul në pianon e mbyllur, mori një copë letër dhe shkroi…

Kështu e kujtoi Annie Vivanti momentin kur Giosuè Carducci shkroi fjalët që do t’i kishte gdhendur në gurin e varrit të saj të thjeshtë: “Trokas në një derë të mbyllur me një rrem lulesh të kalërdhe blur si sytë e tu, o Annie”

Vitet e fundit të jetës së Carducci-t u bënë të lumtura nga prania e një gruaje që ishte shumë më e re se ai, 29 vjet më e re se ai: Annie Vivanti.

Eni Vivanti ishte e re dhe bionde me sy në ngjyrën e detit; gjysmë italiane dhe gjysmë gjermane, ajo ishte shumë e apasionuar pas poezisë, shkrimit dhe muzikës.

Legjenda thotë se kur ishte vetëm 18 vjeçe, ajo shkoi te redaktori Treves me poezitë e saj. Redaktori nuk pranoi t’i botonte, por kur e pa sa e re ishte, më në fund i tha se nëse Carducci do të shkruante një parathënie, ai do t’i botonte. Pra, kjo është ajo që bëri Annie Vivanti. Ajo i shkroi poetit duke i kërkuar që t’i lexonte poezitë e saj dhe të takoheshin: “Tani, ose i hidhni pa i lexuar (dhe kjo do të ishte keq!), ose i lexoni dhe më pas i hidhni (dhe kjo do të ishte më keq), ose ju lexoni poezitë … dhe më lejoni të të takoj ty, nëse është e mundur? Apo do të më nderoni duke ardhur të më vizitoni këtu?”

E guximshme, kjo dëshira e saj.

Dhe ky guxim u shpërblye: Vivanti dhe Carducci u takuan në 1889 dhe ai shkroi një parathënie për librin e saj me poezi, i cili do të botohej më 1890. Po atë vit Carducci shkoi për ta vizituar atë në La Spezia dhe ata filluan të kalonin kohë së bashku. Pikërisht me atë rast Carducci kompozoi poezinë për të Enin.

Poeti plak dhe poetja e re, “bufi” dhe “zana” nuk ngurruan të shiheshin bashkë, pavarësisht ndryshimit në moshë, pavarësisht thashethemeve.

Marrëdhënia e tyre frymëzoi poezinë e Carduccit në fazat e fundit të jetës së tij dhe poezia “Ad Annie” ishte emblema e dashurisë së tyre.

Në verën e ’98, kur Vivanti dhe Carducci u ndanë përgjithmonë, Carducci shkroi, “Elegia di Monte Spluga”./Skënder Buçpapaj

Enit – Poezi nga Giosuè Carducci- Përktheu Skënder Buçpapaj

Enit

Trokas në derën e mbyllur me një rrem lulesh
të kaltra dhe blu, si sytë e tu, o Annie.

Shiko: me një rreze që dridhej dielli puthi
renë, dhe tha – Re e bardhë, hapu.

Dëgjo: era nga Alpet me një pëshpëritje të freskët përshëndet
velën, dhe thotë – Velanijen e ndritshme, nisu.

Vëreje: Zogu zbret nga qielli i lagësht në pjeshkën
që lulëzon, dhe drithëron Pema, kundërmon.

Perëndeshë e përjetshme poezia zbret nga mendimet e mia
mbi zemër, dhe thërret – o zemër plakë, rrah në kraharor.
Dhe zemra e butë në sytë e tu të mëdhenj të zanës
ndalon, dhe thërret – Vajzë e ëmbël, këndo.

Giosuè Carducci

Ad Annie

Batto a la chiusa imposta con un ramicello di fiori
glauchi ed azzurri, come i tuoi occhi, o Annie

Vedi: il sole co ‘I riso d’un tremulo raggio ha baciato
la nube, e ha detto– Nuvola bianca, t’apri.

Senti: il vento de l’alpe con fresco susurro saluta
la vela, e dice– Candida vela, vai.

Mira: I’augel discende da l’umido cielo su ‘l pèsco
in fiore, e trilla Vermiglia pianta, odora.

Scende da’ miei pensieri l’eterna dea poesia
su ‘I cuore, e grida– O vecchio cuore, batti.
E docile il cuore ne’ tuoi grandi occhi di fata
s’affisa, e chiama– Dolce fanciulla, canta.

KOSOVA NGA FAKTORI GJEOPOLTIK RAJONAL TEK AI PERIFERIK!- Nga Jusuf BUXHOVI

-Theksime nga fjala në bibliotekën e Gjilanit “Fan S.Noli” me lexuesit e dalluar
Nëse mund të thuhet se shteti i Kosovës është e arritura më e madhe e këtij shekulli, e mundësuar pas çlirimit nga pushtimi serb me ndërhyrjen e armatosur të NATO-s dhe nën drejtimin e SHBA-ve gjatë fushatës ajrore nga 24-10 qershor 1999, në vigjilje të përvjetorit të shtatëmbëdhjetë të pavarësisë, po ashtu mund të thuhet se shteti i Kosovës, gjatë këtyre viteve nuk ia doli të rrumbullakojë procesin e konsolidimit as nga brenda e as nga jashtë. Përkundrazi ndodhi që nga faktori gjeopolitik rajonal të degradohet në periferi të saj!
Ky zhvillim nuk është as i rastit e as i paparashikueshëm, por në rrethanat e tanishme të tronditjeve të mëdha në skenën politike botërore të shkaktuara nga fitorja e Trumfit në SHBA që për pasojë kanë përmbysjen e deritanishme të multipolaritetit përmes vendosjes se një polariteti të ri gjeostrategjik, ku SHBA-të në raport me Rusinë skicojnë kornizat e reja gjeopolitike në përputhje me interesat e tyre ekonomike, anashkalohet Europa dhe mekanizmat e saj. Ky tektonizëm, për shtetin e Kosovës paraqet një sfidë thuajse ekzistenciale dhe kthehet në një shqetësimi të thellë ngaqë Kosova gjatë viteve të fundit, në saje të politikave që kanë qenë në shpërputhje me qëndrimet e aleatëve për konsolidim të brendshëm, në radhë të parë për t’i zgjidhur problemet me minoritetet (atë serb) në përputhje me normën kushtetuese ku parashihet edhe krijimi i asociacionit pa kompetenca ekzekutuese, në mënyrë që ata të integrohen, me zvarritje dhe veprime të tjera të pamatura, një problem teknik e ktheu në problem politik. Dhe, ç’është me keq, me krijimin e “Listës serbe” e drejtuar nga Beogradi, Serbisë iu hapën mundësitë për implikim të drejtpërdrejtë në jetën politike të Kosovës, që për pasojë patën krijimin e shtetit paralel në veri të drejtuar nga strukturat kriminale, përmes të cilave shteti i Kosovës jo vetëm që humbi mbikëqyrjen në veri, por njëherësh krijoi rrethana, për humbjen e kredibilitetit ndërkombëtar. Por, edhe kur qeveria aktuale, gjatë dy viteve të fundit mori masa për t’i eleminuar straktuart paralele në Veri, ato u konsideruan “veprime të njëanshme”, pra pa marrëveshje me aleatët, gjë që u përcollën edhe me sankcione ndërkombëtare nga ana e Bashkimit Europian! Kur kësaj i shtohen edhe veprimet e pakoordinuara të qeverisë së Kosovës në raport me SHBA-të, sponsorisuesin dhe aleatin kryesor të shtetit të Kosovës, nuk është e habitshme kur shteti i Kosovës, në aspektin e gjeopolitikës rajonale, nga faktori i rëndësishëm, sot ndodhet në periferi të saj!
Ky realitet, që për shkak ka politikat e papërgjegjshme të udhëhequra për shumë vite nga akteret politikë që qeverisën vendin, që pushtetin politik, për interesa meskine personale dhe të klaneve politike, e kanë shfrytëzuar në dëm të konsolidimit të shtetit, mund të ketë pasoja tepër të rënda, pikërisht në rrethanat e tanishme kur politika amerikane, në përputhje me interesat e saj që u cekën më lartë, në marrëveshje me Rusinë dhe duke anashkaluar Bashkimin Europian, me arsyetimin që siç e tha dje nënpresidenti amerikan Vance në konferencën e sigurisë në Mynhen se “kërcënimi më i madh ndaj sigurisë së Europës vjen nga brenda dhe jo nga Rusia”, krahas raporteve të reja në sferat globale (veçmas me Kinën, Indinë dhe vendet arabe dhe islame), në pakon e fundit, të ridizajnojë edhe hapësirën e vendeve të Europës jugperëndimore, ku bie edhe Kosova, si shtet i pakonsoliduar.
Ky ridizajnim që është i pashmangshëm pasi që t’i jepet fund luftës së Ukrainës, natyrisht në marrëveshje me Rusinë, që sipas fjalëve të Vances, ajo nuk do t’i ketë më kufinjtë e dikurshëm e as nuk do të jetë anëtare NATO-s, që për politologun francez Gluksman, konsiderohet kapitullim para Rusisë i njëjtë me marrëveshjen e Çemblerenit në Mynhen në vitin 1938 kur për hire të paqes u sakrifikua Çekia, gjë që është afër mendsh që skenarët e tilla mund të përdoren edhe në Ballkan!
Meqë skenarët e tillë nuk mund të përjashtohen, është më se e domosdoshme që spektri i gjithanshëm politik i Kosovës, pozitë opozitë, pa përjashtim, duke lënë manash gabimet, hasmëritë dhe animozitet e tyre të deritanishme, të bashkohet për t’i dhënë përgjigje kësaj sfide ekzistenciale.
Opcioni i gjuhës së përbashkët të faktorit politik shqiptar në këto rrethana pas zgjedhjeve që sapo i lamë, me krijimin e një qeverie të kaolicionit të gjërë, është edhe më domethënës, kur kihen parasysh raportet që nxorën këto zgjedhje (pat pozicioni midis pozitës dhe opozitës), që hap mundësi për zvarritje deri te një krizë e re politike, që do të ishte fatale. Ngaqë, çfarëdo krize politike do të shfrytëzohej që Serbisë t’i bëhen favore në reaport me kërkesat e saj për krijimin e një autonomie secesioniste në Veri.

AEROPLANI AMERIKAN -Tregim satiro-humoristik nga Shkëlqim HAJNO


Mësuesi i apsionuar i gjuhës dhe letërsisë, Areteo Buneci hyn optimist në klasë dhe pasi hedh regjistrin mbi tryezë me një pozë teatrale, kthehet nga nxënësit që ende nuk janë ulur nëpër banka.
Është dhjetor dhe në klasë nxënësit që vijnë nga fshatrat e rrethinave të qytetit kanë bërë si gjithmonë disa km rrugë në të ftohtë dhe shpesh nëpër shi.

-Të dashur nxënës sot siç e dini do të zhvillojmë hartim, -dhe i qesh nuri tek flet me pasion për hartimin dhe temat që po i shkruan me shkumës në dërrasën e zezë.

Jemi në vitet ’70. Shqipëria vendi i vogël komunist në Europën jugperëndimore, është solidare me luftën e vietnamezëve për pavarësi. Në shtypin e saj botohen çdo ditë kronika mbi luftën në Vietnam. Lajme përditë në radio e gazeta mbi rrëzimin e helikopterëve amerikanë të luftës nga forcat vjetnameze që dalin si sihariqe edhe nëpër faqet e para të shtypit në vendim komunist të Ballkanit.

Të gjitha këto aktualitete, mësues Areteo ose siç e thërrasin nxënësin mësues Teo, si kolegë të tij gjithandej, i mirëpret me aktualizime politike në hartime.
-Atëhere, -thotë mësuesi Teo duke i kthyer shpinën dërrasës së zesë dhe duke i orientuar nxënësit për hartimin e ri:

Tema 1:” Pranverë në natyrë, pranverë në sytë dhe zemrat tona”.
Pastaj ai lexon me ton të theksuar pedagogjik temën e dytë:

– Tema 2: Temë e lirë.
Të dashur nxënës, -i drejtohet klasës,- ju mund të zgjidhni temën e parë por, mundet të gjeni edhe nje temë tjetër që ju ngacmon fatazinë. Edhe nga aktualiteti kombëtar e ndërkombëtar.
-Me leje?
Ishte Astriti në bankën e fundit nga dritarja.
– Po Astrit!
-Mundet ta bëjmë hartimin edhe me vargje si poezi? Temën e lirë për shembull, të.dytën?
-Patjetër!,- tha entuiziast mësues Teo.

Ai vetë ishte marrë me poezi dikur.Madje kishte botuar edhe në ndonjë organ shtypi si në “10 Korriku” etj,.. Në qytet ende mbahen mend edhe sot dy vargje nga poezisa e tij ‘Fshati’:
“Kur mora rrugën për Kalivaç
Më digjte dielli si saç'”

Duke qenë se ai e kishte rregulluar edhe orarin e hartimit me kolegët dhe drejtorinë e shkollës për dy orë mësimi dyzet e pesëminutëshe rresht, shtoi:
-Tani, punë të mbarë dhe plot frymëzim! Orën e dytë dorëzoni fletoret me hartime të përfunduara te katedra këtu.
Në klasë ra qetësi. Ishte ora e muzës.
***
Aty nga mesi i orës së dytë dyzetepesëminutëshe, nxënësit një nga një, nisën të dorëzojnë fletoret në tryezën e mësuesit. Në atë qetësi që mbretëronte ai po korrigjonte hartimet e një klase paralele.
-Presor, unë e bëra hartimin me poezi për luftën çlirimtare të popullit vëlla vietnamez …
-Ashtuuu?.Pa ta shoh.
Nxënësit me një farë zilie i ngulën syte sa te mësues Teo aq edhe te shoku i tyre Titi që kishte shkruar poezi për luftën në Vientam.
-Buu-kur!- tha mësuesi të cilit i ndriti nuri.
-Meqënëse të gjithë pothuaj keni përfunduar, unë ju ftoj të dëgjoni hartimin ne vargje të shokut tuaj Astritit Corrodolit. Eja këtu në dërrasë dhe lexoje para shokëve të klasës.
Titi ndjeu t’i skuqeshin edhe majat e veshëve dhe nisi të lexojë me ton ne emfatik dhe plot diksion:

– Aeroplani amerikan
1.
Aeroplani amerikan
Është i vogël si shejtan,
Xhër-xhër-xhër, -ia bën motori
Edhe dreqi Seç e mori!1)
2.
Aeroplani amerikan
Është i vogël si shejtan
Ka në bark bomba, fishek
Ç’e pësoi fshat’ i shkretë.
3.
Edhe vajzat vjetnameze
Seç ngjajnë me ato kineze
Kanë një gjë në kurriz,
Duket sikur kanë oriz…

E mbështeti fletoren në gjunj dhe donte të shpjegonte diçka.

-Shprehu, Astrit! Jepi!- e nxiti mësues Teo.

-Strofa një, domethënë, e qëlloi aeroplanin me mitroloz nga poshtë, nga kodrat ku ishte në pozicione në tunele ushtria çlirimtare e Vetnamit.-sqaroi Astriti duke sjellë përfytyrimet që i kishin ndezur fatazinë e nga propaganda dhe filmat për luftën në Vietnam.

-Kurse strofa numër dy, lidhet me vajzat kineze dhe vietnameze…
-Interesante! Bukur!-shprehu përshtypjen mësues Areteo..
-Me leje presor?

Ishte Kola Sirakati, nxënës që vinte çdo ditë me këmbë nga fshati Batare, shtatë kilometra nga qyteti, duke kaluar edhe pasarelen mbi lumin pranë qytetit.
-Hë Kol! Edhe ti me vargje? Të lumtë! -e përgëzoi profesori.
-Si e ke titulluar temën e lirë të hartimit, ti Kol?
-Fiqtë,-bëzajti i drojtur nxënësi.
-Fiqtë? Eja këtu dhe lexoje.
Kola u nguros.
– Djalosh mos u druaj nga shokët e tu. E pe si recitoi Astriti?
Kola hapi fletoren.
-Vazhdo, me zë të lartë dhe me ton. Ashtu!

FIQTË.
1.
Fiqtë e egër,
Njerëzit s’i hanë,
Fiqtë e butë i hanë
me gjith’ bërthamë!
2.
Fiqtë sivjet
janë bërë aq shumë,
Sa njerëzit i marrin e i hedhin
Fiuuuu…..në lumë!

Në klasë nisën të qeshurat.
Kola u turbullua dhe tha nëpër dhëmbë:
-Kam edhe një tjetër po të shkurtër…
-Ja ta dëgjojmë?-e nxiti mësuesi.
-“Servet Kani Servet Cani/
Që të dy nga Podgorani/
Servet Kani djalë i qeshur/
Mban një palë kallçina veshur”

Në klasë u krijua ilaritet. Mësues Areteo e shoqëroi me buzëqeshje ilaritetin.

-Rëndësi ka niciativa, guximi për të shkruar në vargje,-iu drejtua ai klasës. -Të tjerat, rregullohen gjatë rrugës.

Ndërkaq kishte rënë zilja e përfundimit të orës së mësimit. Nxënësit u sulën në korridor për të dalë në oborr si një trumbë e madhe zogjsh që cicërinin. Mësues Teo i shikonte nga dritarja e sallës së mësuesve në katin e tretë të shkollës dhe buzëqeshi kur dëgjoi që nga oborri dikë prej tyre që thërriste: “Aeroplani amerikan, është i vogël si shejtan!!///
—o0o—


Send this to a friend