VOAL

VOAL

Guterres: Autoritetet në Birmani ta ndalin dhunën kundër myslimanëve

September 14, 2017

Komentet

Pasardhësi i Khameneit pritet të shpallet, teksa sulmet shënjestrojnë depo nafte në Teheran

Ndër vite janë përmendur shumë emra si pasardhës të mundshëm të Khameneit, por, aktualisht, tre kandidatë konsiderohen favoritë kryesorë: Mojtaba Khamenei, Alireza Arafi dhe Hassan Khomeini.
Radio Evropa e Lirë

Udhëheqësit e Republikës Islamike të Iranit kanë zhvilluar një votim lidhur me atë se kush do ta zëvendësojë Ajatollah Ali Khamenein si udhëheqës suprem dhe pritej të shpallnin pasardhësin, tha një zyrtar.

Ajatollah Alam al-Hoda, një klerik i lartë në Asamblenë e Ekspertëve të Iranit, u citua më 8 mars nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr të ketë thënë: “Zgjedhjet për udhëheqjen janë mbajtur dhe udhëheqësi është emëruar”.

Khamenei u vra në një sulm ajror SHBA-Izrael më 28 shkurt, në ditën e parë të luftës që është përhapur në gjithë rajonin gjatë javës së kaluar.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kryen sulme të reja ajrore ndaj infrastrukturës strategjike në dhe rreth Teheranit më 8 mars, përfshirë depo nafte dhe objekte të rafinimit, ndërsa forcat izraelite zgjeruan gjithashtu operacionet e tyre përtej Iranit.

Zjarre të mëdha u raportuan në disa vende të magazinimit të karburantit në Teheran, duke dërguar re të dendura tymi mbi pjesë të kryeqytetit. Zyrtarët iranianë konfirmuan se disa rafineri të naftës u dëmtuan, megjithëse ekipet emergjente arritën të vinin nën kontroll disa nga zjarret.

Sulme izraelite u raportuan edhe ndaj objektivave të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit në Bejrut dhe në jug të Libanit, ku disa persona u vranë.

Zyrtarët izraelitë thanë se fushata ushtarake do të vazhdojë dhe paralajmëruan se edhe ata që janë të përfshirë në përzgjedhjen e udhëheqjes së ardhshme të Iranit mund të bëhen objektiva.

Pasi presidenti iranian, Masud Pezeshkian, tha se dëshironte të “kërkonte personalisht falje nga vendet fqinje” që ishin goditur nga raketat dhe dronët iranianë, shefi i sigurisë kombëtare Ali Larijani dhe të tjerë më 7 mars reaguan me tone sfiduese, ndërsa Teherani goditi sërish aleatët arabë të SHBA-së në rajon.

Veçmas, media shtetërore iraniane në mbrëmjen e vonë të 7 marsit citoi klerikun ultrakonservator Ajatollah Hossein Mozafari, anëtar i Asamblesë së Ekspertëve — e cila do të zgjedhë sundimtarin e ardhshëm të vendit — të ketë thënë se ky organ mund të mblidhet brenda 24 orëve të ardhshme për të marrë një vendim.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sinjalizoi se nuk është i interesuar për negociata të mëtejshme me Iranin pas disa raundeve bisedimesh që nuk sollën përparim.

“Në një moment, mendoj se ndoshta nuk do të mbetet askush për të thënë: ‘Ne dorëzohemi’”, tha Trump.

Trump paralajmëroi në një postim në rrjetet sociale se më shumë zyrtarë iranianë do të bëhen objektiva në luftë. “Sot, Irani do të goditet shumë fort!”

“Nën shqyrtim serioz për shkatërrim të plotë dhe vdekje të sigurt, për shkak të sjelljes së keqe të Iranit, janë zona dhe grupe njerëzish që deri në këtë moment nuk janë marrë në konsideratë për t’u shënjestruar”, tha ai.

Ai gjithashtu përsëriti se kërkon rol në përzgjedhjen e udhëheqjes pasuese të Iranit, duke thënë se sundimtari i ardhshëm duhet të jetë “I MADH & I PRANUESHËM”.

“E di që ka një numër personash që agjencitë tona të inteligjencës dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara po i shqyrtojnë, por nuk do të shkoj më tej se kaq”, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 6 mars sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Ofensivë tokësore kurde?

Trump tha gjithashtu se nuk dëshiron që kurdët etnikë të nisin një sulm ndaj regjimit iranian. Këto komente erdhën pas raportimeve kontradiktore nëse Trump po inkurajonte një ofensivë tokësore nga kurdët iranianë në mërgim, të bazuar në Irak.

“Nuk po kërkojmë që kurdët të hyjnë”, u tha ai gazetarëve në bordin e Air Force One. “Jemi shumë miqësorë me kurdët, siç e dini, por nuk duam ta bëjmë luftën edhe më komplekse sesa është tashmë”.

“Nuk dua t’i shoh kurdët të lëndohen dhe të vriten. Ata janë të gatshëm të hyjnë, por u kam thënë se nuk dua që të hyjnë. Lufta është mjaft e komplikuar edhe pa u përfshirë kurdët”, tha ai.

Më 5 mars, Trump i kishte thënë Reuters se do të ishte “plotësisht pro” një ofensive nga luftëtarët kurdë iranianë në mbështetje të përpjekjes SHBA-Izrael.

Zyrtarë të një grupi në mërgim më 7 mars thanë se një bazë kurde iraniane në rajonin gjysmëautonom kurd të Irakut ishte goditur nga sulme ajrore, me gjasë nga dronë. Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) thanë se kishin shënjestruar “grupe separatiste” në rajon. Raportimet nuk mund të verifikoheshin menjëherë.

“Të kërkoj falje personalisht”

Pezeshkian, mes zemërimit në rritje nga vendet e Gjirit dhe të tjerë — si Iraku, Azerbajxhani dhe Turqia — tha në një mesazh video se do të dëshironte të “kërkonte personalisht falje nga vendet fqinje që u prekën nga veprimet e Iranit”, ndërsa u bëri thirrje atyre të mos i bashkohen sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit.

Ai tha se këshilli i përkohshëm i udhëheqjes së Iranit kishte rënë dakord të pezullonte sulmet ndaj shteteve të afërta, përveç rasteve kur sulmet ndaj Iranit do të niseshin nga territori i tyre.

Megjithatë, disa orë më vonë Marina e IRGC-së nisi një sulm me dron ndaj bazës ajrore amerikane al-Dhafra në Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, një agjenci gjysmëzyrtare e lidhur me IRGC-në.

Kleriku ultrakonservator Hamid Rasai, deputet në parlament, e kritikoi Pezeshkianin për kërkimfaljen e tij, duke shkruar në X se “qëndrimi juaj ishte joprofesional, i dobët dhe i papranueshëm”.

Kreu i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei, gjithashtu i hodhi poshtë komentet e Pezeshkianit, duke thënë se “sulmet intensive ndaj këtyre objektivave [rajonale] do të vazhdojnë”.

Shpërthime të forta u dëgjuan në Dubai, Doha dhe Manama të Bahreinit, ndërsa sulme u raportuan edhe në Arabinë Saudite, Katar dhe Kuvajt, ku kompania kombëtare e naftës njoftoi një ulje “paraprake” të prodhimit.

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammad bin Zayed Al Nahyan, tha në një fjalim televiziv se Emiratet ndodhen në “një periudhë lufte”, por “do të dalin më të forta” nga kriza.

Shumë nga shtetet arabe të Gjirit strehojnë baza ushtarake amerikane dhe objekte të tjera që janë bërë objekt i shumë sulmeve me raketa dhe dronë nga Irani.

Diku tjetër, raketa Katyusha goditën pranë ambasadës së SHBA-së në Bagdad — me gjasë të lëshuara nga milici në Irak të lidhura me Iranin. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse kishte viktima apo dëme.

Reuters citoi një zyrtar të lartë të sigurisë në Irak të ketë thënë se sistemi i mbrojtjes C-RAM rrëzoi një nga raketat dhe se asnjëra nuk ra brenda kompleksit të ambasadës. Zyrtari tha se nuk kishte viktima amerikane.

Larijani kundërpërgjigjet

Shefi i sigurisë së Iranit, Larijani, ndërkohë, pretendoi se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po kërkonin shpërbërjen e vendit.

“Çështja e tyre ishte… shpërbërja themelore e Iranit”, tha Larijani në një intervistë të regjistruar në televizionin shtetëror.

“Mendoj se problemi më i rëndësishëm që kanë amerikanët është se nuk e kuptojnë kontekstin e Azisë Perëndimore, veçanërisht Iranin”, tha Larijani.

“Perceptimi i tyre ishte se do të ishte si Venezuela — do të godisnin, do të merrnin kontrollin dhe gjithçka do të përfundonte — por tani ata janë të bllokuar”.

Netanyahu zotohet ta ‘çrrënjosë’ regjimin

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të vazhdojë luftën me Iranin “me gjithë forcën tonë” dhe deklaroi se vendi i tij dhe forcat amerikane kanë arritur dominim pothuajse të plotë të qiellit mbi Teheran.

“Kemi një plan sistematik për ta çrrënjosur regjimin iranian dhe për të arritur shumë objektiva të tjerë”, tha Netanyahu në një fjalim televiziv.

“Qytetarë [të Izraelit], ju po më thoni mua, qeverisë dhe ushtarëve tanë heroikë të vazhdojmë deri në fitore, dhe ju falënderoj. Mund t’ju siguroj se do të vazhdojmë me gjithë forcën tonë”, tha Netanyahu.

“Do të vazhdojmë të veprojmë me gjithë fuqinë tonë derisa të arrijmë të gjitha qëllimet tona”, tha ai, duke pretenduar se Izraeli po “ndryshon fytyrën e Lindjes së Mesme”.

Izraeligjithashtu intensifikoi ofensivën e tij kundër forcave të Hezbollahut, aleate të Iranit, në jug të Libanit.

Me raportim nga Radio Farda, Reuters, dpa dhe AFP.

Papa bën thirrje për dialog: T’i jepet fund luftës me Iranin! Po nxitet frikë dhe urrejtje

Papa Leo bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Lindjen e Mesme në lutjen e të dielës në Sheshin Shën Pjetri në Vatikan.


Ai thotë se lufta po nxit frikën dhe urrejtjen dhe ngre shqetësime se konflikti mund të përhapet më tej, duke përfshirë edhe vende të tjera, përfshirë “Libanin e dashur”.

“Le t’i drejtojmë lutjen tonë të përulur Zotit që të pushojë gjëmimi i bombave, që armët të heshtin dhe që të hapet hapësira për dialog, në të cilin të dëgjohen zërat e popujve”, thotë Papa Leo. GSH

Përplasjet nga lufta në Iran përhapen në Lindjen e Mesme dhe në Kaukaz

Ushtarë izraelitë shikojnë drejt Libanit nga kufiri Izrael-Liban më 7 mars, ndërsa sulmet ndërkufitare vazhdojnë.

 

Radio Evropa e Lirë

Lufta në Iran po përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë, me incidente që shtrihen nga Gjiri Persik deri në Kaukazin e Jugut dhe që po rritin frikën se konflikti mund të përshkallëzohet në një përballje më të gjerë rajonale.

Arabia Saudite tha se ka interceptuar një raketë balistike të lëshuar drejt një baze që strehon forcat amerikane më 7 mars, ndërsa Azerbajxhani akuzoi operativë të lidhur me Iranin se kanë planifikuar sabotime që synonin një tubacion të madh nafte dhe objekte hebraike.

Në të njëjtën kohë, sulmet ndërkufitare mes Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani në Liban kanë vazhduar, ndërsa Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) thanë se kishin sulmuar një cisternë nafte me flamur maltez në Ngushticën e Hormuzit duke përdorur një “dron shpërthyes”, ndërsa Teherani kërkon të zgjerojë përgjigjen e tij ndaj fushatës ushtarake SHBA-Izrael.

Seria e zhvillimeve nënvizon se si një luftë që filloi me sulme ajrore të koordinuara SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt po përhapet në rajonet fqinje, duke kërcënuar infrastrukturën energjetike dhe duke ngritur mundësinë e hapjes së fronteve të reja, ndërsa lufta hyn në javën e saj të dytë.

Analistët thonë se strategjia e Teheranit duket se synon ta rrisë koston e konfliktit për Uashingtonin.

“Rajoni ka gjasa të përjetojë një fushatë të vazhdueshme hakmarrjeje iraniane për aq kohë sa ka raketa dhe lëshues të tyre,” tha për Radion Evropa e Lirë Sascha Bruchmann, analist për çështje ushtarake dhe sigurie në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike me seli në Londër.

Por Irani gjithashtu duket se po përpiqet të zbusë çdo reagim rajonal. Në një kërkimfalje të rrallë më 7 mars, presidenti iranian Masud Pezeshkian tha në një mesazh video se dëshironte të “kërkonte personalisht falje nga vendet fqinje që janë prekur nga veprimet e Iranit”, ndërsa u bëri thirrje atyre të mos i bashkohen sulmeve SHBA-Izrael kundër Iranit.

Ai tha se këshilli i përkohshëm i udhëheqjes së Iranit kishte rënë dakord të pezullonte sulmet ndaj shteteve fqinje përveç rasteve kur sulmet ndaj Iranit do të vinin nga territori i tyre. Megjithatë, disa orë më vonë, marina e IRGC-së nisi një sulm me dron ndaj bazës ajrore amerikane al-Dhafra në Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, një agjenci gjysmëzyrtare e lidhur me IRGC-në.

Raporti pretendon se një qendër amerikane e komunikimeve satelitore dhe radarë për paralajmërim të hershëm dhe kontroll të zjarrit janë goditur, por Radio Evropa e Lirë nuk ishte në gjendje ta verifikonte në mënyrë të pavarur sulmin. Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se iu përgjigj kërcënimeve me raketa dhe dronë nga Irani, por nuk e ka konfirmuar sulmin ndaj bazës ajrore amerikane.

Pezeshkian gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump për “dorëzim të pakushtëzuar”, duke thënë se “amerikanët mund ta marrin kërkesën e tyre për dorëzimin e popullit iranian në varr”.

Pak më pas, Trump njoftoi në një mesazh në rrjetet e tij sociale se ushtria amerikane po shqyrton zgjerimin e gamës së objektivave brenda Iranit, përfshirë zona dhe individë, ose “shkatërrim dhe vdekje të plotë”.

Komplot i dyshuar iranian për të shënjestruar një tubacion nafte

Azerbajxhani tha se kishte parandaluar një komplot të lidhur me IRGC-në për të sulmuar disa objektiva brenda vendit.

Sipas një deklarate të Shërbimit Shtetëror të Sigurisë të Azerbajxhanit, të publikuar vonë më 6 mars, plani i dyshuar përfshinte sulme ndaj tubacionit të naftës Baku-Tbilisi-Ceyhan (BTC), Ambasadës izraelite në Baku, një sinagoge dhe një anëtari të shquar të komunitetit hebraik malor të Azerbajxhanit.

Autoritetet thanë se dy shtetas iranianë dhe një shtetas azerbajxhanas ishin të përfshirë në kontrabandimin e më shumë se 7 kilogramëve eksploziv C-4 në vend me udhëzime nga IRGC-ja. Hetuesit thanë se ishin lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare për katër të dyshuar.

Irani nuk i është përgjigjur publikisht akuzave, por tha më herët këtë javë, pas një incidenti me dron, se nuk po kërkon të shënjestrojë Azerbajxhanin.

Çdo ndërprerje e tubacionit mund të ngushtojë furnizimin global me energji, i cili tashmë është tronditur nga zgjerimi i luftës.

Teherani ka kërcënuar se do t’i “vërë flakën” çdo cisternë perëndimore që përpiqet të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit, e cila përbën një rrugë jetike tregtare për rreth një të pestën e naftës dhe gazit natyror të lëngëzuar në botë. Të paktën nëntë anije janë sulmuar që nga fillimi i sulmeve SHBA-Izrael, sipas Lloyd’s List, një kompani e inteligjencës detare.

Tubacioni BTC kalon përmes Gjeorgjisë dhe Turqisë dhe transporton naftë nga Kaspiku drejt terminaleve të eksportit në Mesdhe, duke furnizuar tregjet evropiane. Kjo rrugë përbën gjithashtu rreth një të tretën e importeve të naftës të Izraelit.

Komploti vjen pas një incidenti tjetër më herët këtë javë që rriti tensionet mes Bakusë dhe Teheranit. Zyrtarët azerbajxhanas thanë se dronë iranianë goditën infrastrukturë në enklavën Nakhçivan të vendit më 5 mars, duke plagosur civilë dhe duke dëmtuar një aeroport.

Teherani mohoi përgjegjësinë për sulmin.

Sulmet përhapen në gjithë Lindjen e Mesme

Arabia Saudite tha më 7 mars se kishte interceptuar një raketë balistike të lëshuar drejt bazës ajrore Prince Sultan në juglindje të Riadit, e cila strehon personel ushtarak amerikan. Ministria saudite e Mbrojtjes tha se raketa u shkatërrua para se të arrinte objektivin.

Në një sulm tjetër, mbrojtja ajrore saudite rrëzoi gjashtë dronë që synonin fushën e naftës Shaybah pranë kufirit me Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas Agjencisë Saudite të Shtypit. Zyrtarët thanë se dronët u interceptuan mbi shkretëtirën Empty Quarter në jug të vendit.

Sulmet pasojnë disa goditje të mëparshme me dronë ndaj infrastrukturës energjetike saudite këtë javë, përfshirë përpjekje për të sulmuar rafinerinë Ras Tanura në bregun lindor të mbretërisë.

Ministri saudit i Mbrojtjes, princi Khalid bin Salman, paralajmëroi Iranin kundër “keqllogaritjeve” të mëtejshme, duke thënë se veprime të tilla kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Sulmet në rritje kanë tronditur tregjet globale të energjisë. Çmimet e naftës Brent u rritën me më shumë se 8 për qind brenda një dite këtë javë dhe janë rritur pothuajse 30 për qind që nga intensifikimi i konfliktit.

Në vende të tjera, Izraeli ka vazhduar shkëmbimin e zjarrit me grupet e mbështetura nga Irani në Liban, ndërsa rrjeti i aleatëve rajonalë të Teheranit – i quajtur shpesh “boshti i rezistencës” – po shqyrton deri në çfarë mase do ta përshkallëzojë përballjen.

Vetë Irani i është përgjigjur sulmeve SHBA-Izrael duke lëshuar valë dronësh dhe raketash ndaj objektivave izraelite dhe duke goditur objekte ushtarake amerikane në gjithë rajonin, përfshirë në Bahrein dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Katari, Bahreini dhe Arabia Saudite kanë raportuar të gjitha sulme me dronë dhe raketa gjatë javës së kaluar.

Lufta në Lindjen e Mesme, bisedë telefonike mes Starmer dhe Erdogan: Të krijohet bazë për dialog!- Britania i lëshon bazat SHBA-ve për t’i përdorur kundër Iranit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, foli në telefon me kryeministrin britanik Sir Keir Starmer, në lidhje me Iranin dhe situatën e konfliktit në Lindjen e Mesme.

 

Ai i tha Starmer se “ka ende gjëra që mund të bëhen për të krijuar një bazë për dialog dhe se përpjekjet e Turqisë për paqe vazhdojnë”, sipas një deklarate nga presidenca turke.

Erdogan tha se Turqia po ndjek procesin që filloi me sulmet ndaj Iranit dhe se ndërhyrjet e zgjatura mund të shkaktojnë dëme të mëdha në stabilitetin rajonal dhe global, thuhet në deklaratë.

Nga ana tjetër, Britania thotë se SHBA-të po i përdorin bazat e saj për ‘operacione mbrojtëse’

Ministria Britanike e Mbrojtjes tha se “Shtetet e Bashkuara kanë filluar të përdorin bazat britanike për operacione specifike mbrojtëse për të penguar Iranin të lëshojë raketa në rajon, gjë që vë në rrezik jetën e britanikëve.”

Gjithashtu shtoi se avionët luftarakë britanikë vazhdojnë të operojnë mbi Jordani, Katar, Qipro dhe rajonin më të gjerë “për të mbrojtur interesat dhe aleatët britanikë”. Panorama

Irani do të bllokojë tranzitin vetëm për anijet amerikane dhe izraelite

 

Eleonora Ardemagni, Bashkëpunëtore e Lartë e Kërkimit në ISPI, komenton 28 minuta më parë Irani kërcënon me ndërhyrje në Ngushticën e Hormuzit

VOAL- Irani ka kërcënuar të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, e cila lidh Republikën Islamike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omanin. Një e pesta e naftës dhe gazit në botë kalon nëpër Hormuz. Vendimi i Iranit për ta mbyllur atë mund të dëmtojë ndjeshëm ekonominë globale. “Ne e kontrollojmë Ngushticën e Hormuzit, por nuk do ta mbyllim atë dhe të gjitha anijet do të jenë në gjendje të kalojnë nëpër të. Megjithatë, anijet amerikane dhe izraelite do të jenë në shënjestër të forcave iraniane”, tha zëdhënësi ushtarak iranian Abolfazl Shekarchi. Ky i fundit shtoi se “Irani nuk mund të ofrojë asnjë garanci në lidhje me sigurinë e anijeve nga të gjitha vendet dhe nëse ato do të kalonin nëpër Ngushticë, ato do të ishin përgjegjëse për çdo aksident për shkak të situatës së luftës”. Il Telegiornale i kërkoi Eleonora Ardemagni-t, një studiuese në Institutin për Studime Politike Ndërkombëtare (ISPI), një qendër kërkimore dhe think-tank italian, një analizë të situatës. “Irani mund të përdorë mina detare për të bllokuar lundrimin në Ngushticë, pa harruar atë që ndodhi vite më parë në Detin e Kuq gjatë luftës në Jemen: me ndërhyrjen ushtarake të Arabisë Saudite, rebelët Huthi përdorën mina detare. Nëse Irani do të bënte të njëjtën gjë për lundrimin në Ngushticë, do të ishte një problem serioz”, shpjegoi ekspertja. Anije shoqëruese përmes Ngushticës, siç propozoi Presidenti i SHBA-së Donald Trump? “Në fakt, tashmë ekziston një operacion amerikan që vepron në Detin e Veriut Arabik. Operacioni Sentinel ka qenë aktiv që nga viti 2019, pas sulmeve iraniane ndaj tankerëve dhe objekteve saudite të naftës.” RSI

Një javë luftë: Izraeli sheh përparim, por rruga përpara mbetet e gjatë

Një bllok apartamentesh i shkatërruar në Tel Aviv, Izrael, pas një goditjeje me raketë balistike më herët gjatë javës.

 

Ray Furlong

Të fshehura në një rrugë të vogël në një lagje qendrore të qytetit, rrënojat e luftës shaqen si një lloj surprize. Në rrugët përreth, hipsterët mbushin kafenetë në ambient të hapur, skuterët Lime mbulojnë trotuaret dhe fëmijët luajnë nëpër parqe. Por mjafton të kthesh një qoshe dhe do të shohësh mure të nxira, dritare të thyera dhe makina të mbuluara me rrënoja.

Ky është pothuajse i vetmi vend në Tel Aviv që mban shenja të luftës, pas një sulmi iranian në natën e parë të konfliktit. Si i tillë, ai dëshmon fuqinë shkatërruese të raketave balistike të Teheranit. Por mungesa e vendeve të tjera të tilla nënvizon aftësinë e Izraelit për t’i rrëzuar ato.

Ky është një aspekt i luftës deri më tani që po ndikon thellësisht në mënyrën se si Izraeli i qaset asaj që vjen më pas.

“Pikëpamja izraelite është se, mirë, gjërat po kthehen pak a shumë në normalitet këtu. Ne thjesht kemi disa sirena në ditë. Dua të them, jemi mësuar me këtë. Mund ta tolerojmë”, i tha Radios Evropa e Lirë ish-deputetja Ksenia Svetlova.

Implikimi? Për Izraelin, strategjia afatgjatë është një zgjedhje e lehtë.

“Iranianët tani po u mbarojnë raketat balistike dhe veçanërisht lëshuesit, por ata ende kanë dronë. Dronët nuk mund ta dëmtojnë shumë Izraelin. Ne dimë si t’i kapim”, tha Svetlova, tani drejtoreshë ekzekutive e një OJQ-je të quajtur ROPES – Organizata Rajonale për Paqe, Ekonomi dhe Siguri.

Ksenia Svetlova, drejtoreshë ekzekutive e një organizate jofitimprurëse të quajtur ROPES (Organizata Rajonale për Paqe, Ekonomi dhe Siguri).

Ksenia Svetlova, drejtoreshë ekzekutive e një organizate jofitimprurëse të quajtur ROPES (Organizata Rajonale për Paqe, Ekonomi dhe Siguri).

Ka vërtet më shumë një atmosferë rutine sesa alarmi ndërsa njerëzit këtu zbresin drejt strehimoreve nëntokësore sa herë që alarmet bien në aplikacionet e tyre në telefon.

Kapaciteti i Izraelit për të kapur dronët dhe raketat hyrëse mund të matet nga numri i viktimave civile, me 12 të vdekur pas një jave konflikti. Ndërkohë, forcat izraelite dhe amerikane kanë “prerë kokën” e udhëheqjes iraniane dhe duket se e kanë ulur në mënyrë drastike kapacitetin ushtarak të Teheranit.

“Ne po godasim armikun, udhëheqjen e tij, regjimin e tij shtypës dhe objektiva të ndryshme”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më 6 mars, gjatë një vizite në Beersheba, ku rreth 20 persona u plagosën në një sulm iranian më herët gjatë javës.

Toni i vendosur në komentet e tij për përparimin e luftës përputhej me simbolikën e vendosmërisë që shfaqet në rrugët këtu: flamujt izraelitë dhe amerikanë mund të shihen kudo, ashtu si edhe billboardet që paraqesin një Luan Ulërues — emri kod ushtarak i këtij vendi për operacionin që Uashingtoni e quan Epic Fury.

Netanyahu prej kohësh ka bërë thirrje për ndryshim regjimi në Iran, si dhe për shkatërrimin e programeve të tij bërthamore dhe të raketave. Ai ka thënë se qëllimi i këtij operacioni është “ta shtypë plotësisht regjimin e terrorit”.

Sondazhet e opinionit tregojnë se izraelitët në masë dërrmuese e mbështesin luftën. Edhe kritikët e kahershëm të Netanyahut mendojnë të njëjtën gjë.

Politikani veteran i opozitës, Avigdor Liberman, i tha Radios Evropa e Lirë se lufta po shkonte “shumë mirë”, por se “rezultati përfundimtar” ishte çështja kryesore. Sipas tij, ky rezultat duhet të jetë “rrëzimi i këtij regjimi”.

Politikani i opozitës izraelite, Avigdor Liberman, flet me Ray Furlong nga Radio Evropa e Lirë në Tel Aviv.

Politikani i opozitës izraelite, Avigdor Liberman, flet me Ray Furlong nga Radio Evropa e Lirë në Tel Aviv.

Liberman, i cili ndër vite ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes, i Punëve të Jashtme dhe i Financave në qeveri të ndryshme, tha se ishte i bindur se kjo mund të arrihej, por nuk shpjegoi se si.

“Skenari më i keq” do të ishte që Irani të zhytej në “kaos”, tha ai.

“Është vërtet një pyetje e madhe, sepse ajo që pamë në Libi, Irak, Siri është trazirë e vërtetë. Por nga të gjitha alternativat… alternativa më e keqe është nëse [autoritetet klerikale] do të vazhdojnë ta qeverisin Iranin”, tha ai.

Por gjeneralmajori në rezervë Yaakov Amidror, një ish-këshilltar për siguri kombëtare i Netanyahut që është përplasur me të për politikat ndaj Bregut Perëndimor, sugjeroi se bisedat për ndryshim regjimi mund të mos jenë serioze.

“Qëllimi i luftës është një marrëveshje shumë e fortë” mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, tha ai në një aktivitet të organizuar këtë javë nga Instituti i Jerusalemit për Strategji dhe Siguri (JSIS).

“Së pari, të eliminohet plotësisht çdo aftësi që lidhet qoftë me raketat, qoftë me projektin bërthamor. Çdo person që ishte i përfshirë, çdo ndërtesë që ishte e lidhur, çdo vend që ishte i lidhur, çdo kapacitet që nevojitet — gjithçka duhet të shkatërrohet plotësisht…. Mendoj se të dyja palët e kuptojnë se ndryshimi i regjimit është diçka që nuk mund të garantohet”, tha ai.

Duke pasur parasysh këtë, shtoi ai, qëllimi kryesor është thjesht të shkaktohet sa më shumë dëm që të jetë e mundur.

“Ajo që duhet të sigurohet nga operacioni, nga lufta, është që çdo regjim, ky apo një tjetër, të jetë shumë, shumë i dobët”, tha Amidror.

Qeveria izraelite gjithashtu nuk ka shpjeguar në detaje se si mund të arrihet ndryshimi i regjimit. Ditët e fundit ka pasur spekulime për milici kurde nga Iraku që mund të kalojnë kufirin dhe të nxisin një kryengritje.

Svetlova, e cila si ligjvënëse në Knesset ishte e angazhuar nga afër në marrëdhëniet me grupet kurde, tha se ato do të ishin “skeptike” ndaj kësaj ideje, të paktën në afat të shkurtër.

Kjo na kthen te strategjia afatgjatë. Më 6 mars, presidenti amerikan Donald Trump dha një afat prej katër deri në gjashtë javësh për arritjen e “dorëzimit të pakushtëzuar” të Iranit.

Qeveria izraelite shpreson “që lufta, para së gjithash, të zgjasë mjaftueshëm” për ta dobësuar në mënyrë të mjaftueshme kapacitetin mbrojtës dhe të sigurisë të Iranit, tha Svetlova.

“Në fund të ditës, ndoshta do të ketë një fillim të luftës civile në Iran, mes milicive të ndryshme të pakicave, forcave të Basijit, Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) natyrisht; protestat në Iran do të rifillojnë, dhe më pas regjimi do të duhet të luftojë në shumë fronte e jo vetëm në një… Mendoj se kjo është shpresa.”

SHBA forcon praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, dërgon drejt rajonit aeroplanmbajtësen “USS George H.W. Bush”

SHBA po rrit prezencën e saj ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa një tjetër aeroplanmbajtëse, USS George H.W. Bush, pritet të dërgohet në rajon për shkak të tensioneve në rritje me Iranin.


Sipas raportimeve të Fox News, USS George H.W. Bush përfundoi të enjten përgatitjet e fundit përpara nisjes. Policia e US Navy njoftoi se anija, së bashku me anijet shoqëruese dhe flotën ajrore, kreu një stërvitje komplekse të gatishmërisë operative, e cila është e domosdoshme për certifikimin e grupeve sulmuese të aeroplanmbajtësve para se të kryejnë misione operative.

Instituti Detar Amerikan thekson se kjo procedurë është parakusht bazë për t’u konsideruar një grup sulmues plotësisht i gatshëm për zhvillim.

USS George H.W. Bush pritet të dërgohet së shpejti drejt Mesdheut Lindor, duke forcuar më tej prezencën ushtarake amerikane në rajon.

Në të njëjtën kohë, USS Gerald R. Ford, aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, u dërgua kohët e fundit në të njëjtën zonë gjeografike. Fotot e publikuara nga ushtria amerikane tregojnë anijen duke kaluar kanalin e Suezit për të vijuar drejt Deti i Kuq.

Ndërkohë, USS Abraham Lincoln vazhdon të operojë në Deti Arab, duke marrë pjesë në operacione të lidhura me konfliktin me Iranin.

Nëse USS George H.W. Bush do të dërgohet sipas planit, tre grupe sulmuese amerikane të aeroplanmbajtësve do të jenë në distancë të afërt nga Irani, duke treguar për rritjen e tensioneve dhe lëvizshmërinë ushtarake në Lindjen e Mesme. gsh

Lufta në Lindjen e Mesme- Kompanitë amerikane të naftës evakuojnë stafin nga Iraku, strehohen në Kuvajt

Kompanitë amerikane të naftës në Lindjen e Mesme kanë filluar evakuimin e stafit të tyre nga fushat e naftës në Irak.

Pamjet e mbledhura nga agjencia e lajmeve Reuters tregojnë stafin duke kaluar kufirin Safwan për në Kuvajt.

Një roje sigurie në firmën amerikane të naftës Halliburton, Mohamed Ta’meh, i tha agjencisë se “për shkak të situatës së sigurisë në Irak, stafi i huaj që punon në stacionet e naftës (në Irak) është larguar për në shtetin e Kuvajtit dhe prej andej do të shohin se ku do të shkojnë”.

Fushat e naftës kanë qenë një shënjestër gjatë konfliktit njëjavor, me një tjetër firmë amerikane të naftës, HKN Energy, që ndaloi prodhimin në një vend në Kurdistanin irakian të premten pas raportimeve nga qeveria rajonale për një sulm nga “grupet e jashtëligjshme në Irak”. bw

New York Times: SHBA dhe Izraeli shkaktojnë humbje të mëdha në flotën iraniane në Gjirin Persik

Forcat detare të Irani pësojnë humbje të mëdha gjatë javës së parë të sulmeve të SHBA dhe Izraelit, por sfidat për forcat aleate në rajon vazhdojnë.

Irani humbi të paktën shtatë anije të ankoruara në dy bazat e tij, së bashku me infrastrukturën kritike detare, dhe hyrja e një objekti nëntokësor detar në Shtretërit e Hormuzit u godit, sipas analizave të të dhënave satelitore dhe videove të New York Times.

 

 

Derisa sulmet kanë targetuar kryesisht flotën taktike të Iranit, e njohur si Flota e Republikës Islamike, Irani ka edhe një forcë tjetër detare nën drejtimin e Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik, e specializuar në luftë asimetrike. Përveç anijeve tradicionale luftarake, kjo flotë përfshin një numër të madh anijesh të shpejta dhe të pakomanduara që janë më të vështira për t’u goditur.

Forca detare e Gardës së Revolucionit është kryesisht përgjegjëse për sigurinë e Shtretërve të Hormuzit dhe Gjirit Persik. Praktikisht kjo do të thotë se SHBA duhet të kryejë goditje të fuqishme për të siguruar lundrim të plotë.

Analistë të sigurisë, si Nicholas Carl nga Washington, shprehen: “Shkatërrimi i anijeve të flotës taktike të Iranit është një përparim i madh, por Irani ende ka mënyra për të kërcënuar anijet, sidomos ato tregtare, në Gjirin Persik.”

Sipas analizës së New York Times, të paktën 10 anije tregtare janë sulmuar në Shtretërit e Hormuzit dhe ujërat që lidhen me ta, mes Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit. Shumica raporton goditje nga “predha të panjohura”, që sugjeron përdorimin e dronëve detarë ose anijeve të vogla.

Ishulli Kesme

Dëmi është i dukshëm në një bazë në ishullin Kesme në Ngushticën e Hormuzit. Baza përfshin një gji nëntokësor që strehon motoskafe me dhe pa pilot, duke përfshirë edhe anije vetëvrasëse të mbushura me eksplozivë, sipas një raporti nga Farzin Nadimi, një analist i sigurisë dhe mbrojtjes i specializuar në Iran dhe Gjirin Persik.

Bandar Abbas

Një bazë e madhe detare në Bandar Abbas, 10 milje në veri të Kesmes, pësoi gjithashtu humbje të rënda. Sulme të shumëfishta tregojnë se si marina iraniane ashtu edhe anijet e Gardës Revolucionare nuk ishin në gjendje të iknin në pritje të një sulmi.

Dje, ushtria amerikane goditi një transportues dronësh të Gardës Revolucionare pranë bazës. Zyrtarët amerikanë thanë se ishte goditur më parë, por vazhdoi të lundronte në zonën e Bandar Abbas pa dëme të dukshme të konsiderueshme.

Videot tregojnë një sulm ndaj njërës prej anijeve më të reja të Iranit, një korvetë katamaran me raketa Stealth. Garda Revolucionare ka vetëm katër nga anijet luftarake të përparuara, sipas The Military Balance 2026, një vlerësim i forcave të armatosura të publikuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Konarak

Shkatërrimi në bazën detare Konarak tregon se sa seriozisht sulmet amerikane e kanë degraduar marinën e rregullt të Iranit. Tre anije luftarake u fundosën atje ndërsa ishin të ankoruara në skelë, dhe imazhet satelitore tregojnë anije të përmbytura ose pjesërisht të fundosura.

Konarak është një seli rajonale detare përgjegjëse për operacionet në ujërat pranë bregdetit juglindor të vendit. Sulmet atje “i dhanë një goditje të konsiderueshme flotës sipërfaqësore të Marinës Iraniane dhe menjëherë filluan të zvogëlojnë praninë e tyre rreth Gjirit të Omanit”, tha Karl në një email.

Shkatërrimi i bazës ndodhi ndërsa grupi i sulmit të transportuesit të avionëve Abraham Lincoln i Marinës Amerikane po operonte pranë Gjirit të Omanit, në juglindje të Konarak.

Tetë ndërtesa në bazë, pranë anijeve të fundosura, u shkatërruan ose u dëmtuan, sipas imazheve satelitore. Ato gjithashtu treguan sulme ndaj bazave të afërta të dronëve dhe avionëve.

Dëmet ishin gjithashtu të dukshme në bazën detare Jask në Gjirin e Omanit dhe në një bazë detare në Asalouyeh në Gjirin Persik. gsh

“Ju lutem mos shkoni në aeroport” Pezullohen të gjitha fluturimet nga Dubai

Në një deklaratë të re të ndarë në X, linja ajrore Emirates thotë se “të gjitha fluturimet për në Dubai janë pezulluar deri në njoftim të mëtejshëm”.

“Ju lutem mos shkoni në aeroport”, thotë ajo.

Linja ajrore thotë se do të ndajë përditësime kur ato të jenë të disponueshme dhe se “siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit tonë është përparësia jonë më e lartë dhe nuk do të komprometohet”. bw

Izraeli: Mbi 80 avionë luftarakë të përfshirë në sulme në Teheran dhe Iranin qendror

Ushtria izraelite njoftoi se më shumë se 80 avionë luftarakë kanë përfunduar një valë të re sulmesh ajrore kundër objektivave ushtarake në Teheran dhe në zona të tjera të Iranit qendror.

Në një deklaratë zyrtare, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se operacioni kishte në shënjestër infrastrukturë ushtarake, përfshirë lançues raketash dhe objekte të tjera që, sipas tyre, i përkasin regjimit iranian.

“Mbi 80 avionë luftarakë të Forcave Ajrore Izraelite kanë përfunduar një valë të mëtejshme sulmesh kundër infrastrukturës që i përket regjimit terrorist iranian”, thuhet në deklaratën e ushtrisë.

Sipas IDF-së, sulmet janë kryer ndaj disa objektivave strategjike në kryeqytetin Teheran dhe në rajone të tjera të Iranit qendror, si pjesë e operacioneve të vazhdueshme ushtarake.BW

Evakuohet aeroporti i Abu Dhabit, Emiratet e Bashkuara Arabe reagojnë ndaj kërcënimit me raketa

Shtetet e Gjirit kanë raportuar se kanë kapur disa raketa balistike dhe dronë, ndërsa Irani dyshohet se ka nisur një valë të re sulmesh hakmarrëse në rajon.

Ndërkohë, një burim i Sky News bëri të ditur se Aeroporti Ndërkombëtar Zayed në Abu Dhabi është evakuuar për arsye sigurie. Pasagjerët janë dërguar në zona strehimi nën tokë, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën.

Në Arabinë Saudite, autoritetet njoftuan se kanë rrëzuar katër dronë që po synonin fushën e naftës Shaybah. Ky është raportuar si sulmi i dytë ndaj këtij objekti strategjik brenda pak orësh.
Edhe në Dubai u raportuan shpërthime gjatë orëve të mëngjesit. Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe thanë se bëhej fjalë për “një incident të vogël” të shkaktuar nga mbetje që ranë në tokë pas neutralizimit të një objekti fluturues nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Zhvillimet e fundit vijnë në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa vendet e Gjirit kanë rritur nivelin e gatishmërisë së sistemeve të tyre të mbrojtjes përballë kërcënimeve të mundshme ajrore.BW


Send this to a friend