VOAL

VOAL

Gueterres: Taksa po rrit tensionet mes Serbisë dhe Kosovës

February 6, 2019
blank

Komentet

blank

Lili-Puti i Ballkanit – Vuçiqi gjatosh e ka “pranuar se është Putin i vogël”! – Nga SENAD GURAZIU

blank

TË HIQEN PËRGJITHMONË ARMËT BËRTHAMORE- Nga ANTONIO GUTIERRES -Përktheu Eugjen Merlika

 

Të shtunën, më 6 gusht, isha me krenari përkrah Kryeministrit të Japonisë, Fumio Kishida, dhe popullsisë së Hiroshimës, në kujtim të një katastrofe pa mëparshmëri. Shtëdhjeteshtatë vite më parë dy bërthamore u përdorën kundër popullsive të Hiroshimës e Nagasakit. Dhjetra mijra gra, fëmijë e burra u vranë në një çast, të bërë hi nga një zjarr prej ferri. Godinat u kthyen në pluhur. Lumenjtë e qetë të qyteteve u mbuluan me gjak. Të mbijetuarit u dënuan me një trashëgimi radioaktive, të rrethuar nga probleme shëndeti dhe subjekte të një ekzistence të damkosur për shkak të bombardimeve bërthamore.
Pata nderin e madh të takonja një grup të mbijetuarish, hikabushat, numëri i të cilëve pakësohet nga viti në vit. Më kanë treguar me guxim të vendosur se çfarë kanë jetuar në atë ditë të lemerishme të vitit 1945. Është ora që drejtuesit botërorë të kenë të njëjtën qartësi të hikabushave e të shohin armët bërthamore ashtu siç me të vërtetë ato janë. Armët bërthamore nuk kanë asnjë farë kuptimi. Ato nuk janë në gjëndje të krijojnë siguri ose mbrojtje. Për natyrën e tyre sjellin vetëm vdekje dhe shkatërrim.
Kanë kaluar tre të katërtat e shekullit nga kërpudha atomike mbi Hiroshimën dhe Nagasakin. Që atëherë njerëzimi kaloi përgjatë Luftës së Ftohtë, dhjetëvjeçarë të një politike absurde të rrezikut të llogaritur dhe disa gjëndje skajore të tmerrshme që e kanë çuar njerëzimin një hap larg shkatërrimit të përgjithshëm. Megjithatë, deri edhe në fazat më t’errta të Luftës së ftohtë, fuqitë bërthamore kanë pakësuar në mënyrë të dukëshme arsenalet e tyre bërthamorë. Kishte atëherë një pranim të gjërë të parimit kundër përdorimit, përhapjes e provave të armëve bërthanore. Sot rrezikojmë të harrojmë mësimet e vitit 1945. Ka shpërthyer një vrapim i ri drejt armëve bërthamore, me qeveri të gatëshme për të harxhuar qindra miliardë dollarë për të përditësuar arsenalet e tyre bërthamorë.
Në arsenalët e të gjithë botës janë gati 13.000 armë bërthamore. Krizat gjeopolitike me nuanca serioze bërthamore përhapen me shpejtësi, nga Lindja e Mesme deri në siujdhesën koreane në mësymjen ruse të Ukrainës. Edhe njëherë gjinia njerëzore luan me një revole të mbushur. Jemi në një gabim, në një keqkuptim, një llogari të rreme të hapësirës nga apokalipsi. Qeveritarët botërorë duhet të heqin dorë së ngacmuari fatin dhe duhet t’a heqin përgjithmonë mundësinë bërthamore nga tryeza e bisedimeve. Është e papranueshme që Shtete që zotërojnë zgjedhjen bërthamore pranojnë mundësinë e një lufte bërthamore që do të dënonte me vdekje gjithë gjininë njerëzore. Në të bjëjtën kohë, ata Vënde duhet të zotohen të mos jenë të parët në përdorimin dhe duhet të sigurojnë Shtetet pa armë bërthamore se nuk do t’i përdorin, as të kërcënojnë përdorimin kundër tyre e që përçapjet e tyre do të jenë gjithmonë të tejdukëshme.
Provat e armëve bërthamoreduhet të mbarojnë. Së fundi ka vetëm një zgjidhje të kërcënimit bërthamor: të mos ketë fare armatime bërthamore. Kjo do të thotë hapje e çfarëdo hapësire të bisedimeve, të diplomacisë apo marrëveshjesh për të pakësuar tensionet dhe asgjësuar ato armë vdekjeprurëse të masave. Në këtë kuptim jemi të pranishëm në shenja të reja shpresash në New York, ku bota është mbledhur për të satën Konferencë mbi rishikimin e Traktatit të mos përhapjes së armëve bërthamore.
Traktati përfaqëson një nga arsyet kryesore për të cilat nuk janë përdorur armë bërthamore që nga 1945. Ai përmban zotime juridikisht detyrues për t’arritur çarmatimin bërthamor, e mund të përbëjë një katalizator të fuqishëm për çarmatimin, të vetmen mënyrë për të asgjësuar një herë e përgjithmonë ato armë të tmerrshme. Qershorin e shkuar, Vënde nënëshkrues të traktatit mbi ndalimin e armëve bërthamore janë takuar për të parën herë për të përvijuar rrugën drejt një bote të lrë nga këto armë vdekësore.
Nuk mund të pranjmë më praninë e armëve që kërcënojnë nga kaq afër të ardhmen e njerëzimit. Është ora të ndigjohet mesazhi gjithmonë aktual i hibakushave: “Mjaft të tjera Hiroshima! Mjaft të tjerë Nagasaki!” Është koha të përhapim paqen.Së bashku, hap mbas hapi, t’i zhdukim këto armë nga faqja e tokës.

“Corriere della Sera”, 7 gusht 2022 Përktheu Eugjen Merlika

blank

PUBLICISTIKA E DON LAZЁR SHANTOJЁS DHE NYJET E PAZGJIDHURA TË HISTORIOGRAFISЁ SHQIPTARE- Nga Eugjen Merlika

 

Më 5 mars 1945 u pushkatua martiri i parë i Kishës katolike shqiptare në erën komuniste, Don Lazër Shantoja. Ishte arrestuar prej “çlirimtarëve” të Shqipërisë pak më shumë se dy muaj më parë. Në ata dy muaj kishte pësuar torturat më çnjerëzore që mund të merreshin me mënd. Trupi i gjymtuar, me gjymtyrët të sharruara, atë ditë marsi u hodh në një gropë pa emër, së bashku me atë të Sulçe Beg Bushatit.
Kështu mbyllej qarku i jetës së njërit prej eruditëve më të spikatur të shoqërisë shqiptare, personaliteti i të cilit shquhej në shumë fusha të artit të letrave, duke dhënë një ndihmesë me të vërtetë të fuqishme në jetën kulturore të bashkatdhetarëve. Ai ishte bir i traditës katolike të Shkodrës, qytetit më përfaqësues në lëmin e kulturës shqiptare. U rrit e u formua, si njerí e si meshtar, në Institutin Papnuer të qytetit të tij e në universitetin e Insbrukut të Austrisë. Zu rrënjë e hodhi shtat në traditën e klerit katolik që kishte patur rolin parësor në ruajtjen, kultivimin dhe përforcimin e identitetit kombëtar e të kulturës së shqiptarëve, në qindvjetorët e gjatë të pushtimit osman.
Shantoja hyri me tërsëllimë në hullinë e gjërë të klerikëve intelektualë katolikë, të cilët që nga Buzuku, Bogdani, Bardhi e deri tek Fishta, Mjeda, Gjeçovi, Marlaskaj etj. zotëruan me personalitetin dhe veprimtarinë e tyre fetare e kulturore, në harkun kohor të shekujve, në sferën e qëndresës shqiptare ndaj rrezikut thërmues të pushtimit, duke përfaqësuar shtyllën kurrizore të kulturës dhe idesë kombëtare. Nëse institucionet fetare të krishtera në Evropën mesjetare pas romake patën meritën e njohur të ruajtjes së vlerave të kulturës klasike të lashtësisë greko – romake nga rreziku i zhdukjes së tyre prej fiseve barbare, kisha katolike shqiptare në mesjetën tonë, që u zgjat deri në shekullin e njëzetë, mbajti mbi shpatulla elementet themelorë të ringjalljes së kombit shqiptar.
Don Lazër Shantoja, djalosh 24 vjeçar, i sapo shuguruar meshtar, emërohet sekretar i arqipeshkvit Imzot Lazër Mjeda. Këtu filloi veprimtaria e tij gati tridhjet vjeçare në shërbim të kishës, të kulturës e të shoqërisë shqiptare në periudhën e ngjeshur me ngjarje, të cilat përcaktuan ecurinë e krijimit e të forcimit të Shtetit të parë shqiptar të bashkuar. Veprimtaria e Shantojës, falë formimit të tij të pasur e të mirëfilltë intelektual, ishte e larmishme. Poet i lindur e prozator i arrirë, orator i paarritshëm e tribun i vërtetë politik, përkthyes nga më të talentuarit e letrave shqipe e njohës i thellë i gjuhëve klasike dhe atyre kryesore evropiane, studjues i vëmendshëm i mendimit letrar, sociologjik e filozofik të elitave evropiane, Don Lazër Shantoja u shqua në mënyrë të veçantë për ndihmesën e dhënë në fushën e publiçistikës e të mendimit shoqëror të dhjetëvjeçarëve të parë të qindvjetit njëzetë.
Publiçistika e Shantojës ka bukurinë kristaline të një liqeni alpin, në të cilin derdhen rrëketë e rrëmbyeshme kur stuhitë rrahin malet përreth. Ato stuhì janë ngjarjet politike të jetuara në vetë të parë e të pasqyruara në artikujt e tij. Rrethi i vështrimit të autorit është mjaft i hapur e interesat e tij të shumanëshme vërtiten të gjitha rreth një ideje qëndrore që është credo-ja e tij: Atdheu, Shqipëria, zhvillimi i saj në rrugën e qytetërimit, në kahun Perëndimor. Ёshtë një ide e paluajtëshme e autorit, e miqve dhe bashkëluftëtarëve të tij, që ndriçon e i jep kuptim jetëve të tyre që përshkojnë një morì shtigjesh, sakrificash e privacionesh të çdo lloji. Artikujt e tij i gjejmë të botuara në fletore të ndryshme brënda e jashtë Shqipërisë e në to del në pah një personalitet poliedrik.
Në ciklin e shkrimeve të botuara tek “Shkolla e re” të vitit 1921 spikat dëshira e autorit për të mbjellë tek bashkatdhetarët e tij parimet e qytetërimit, të atij të vërtetit që rrjedh nga mësimet e filozofëve dhe përvoja e njerëzimit në shekuj. Rrjeshtohen në këta shkrime parimet e edukatës, të moralit, të shoqërisë në shfaqjet e saj më të ndryshme si shkolla, puna, karierat, artet etj. Në to sillen shembuj të njerëzve të shquar, të rrugës së tyre të vështirë, të sukseseve, famës e arritjeve me të vetmin qëllim për të nxitur ambiciet fisnike të shqiptarëve që u duhej të ndërtonin gjithshka me duart e tyre. Me një stil të thjeshtë e bindës Shantoja do t’u thotë bashkatdhetarëve të tij, sidomos të rijve, se nuk ka kalà që nuk merret nëse njeriu ka vullnetin e dëshirën për të shkuar përpara. Janë mësime të vlefshme që i jepen një populli që sapo ka hyrë në rrugën e zhvillimit mbas shekujsh pushtimi të huaj që nuk e kishte ndihmuar aspak atë zhvillim. Autori bën pjesë në atë elitë të këtij populli që mundohet, me të gjitha mjetet, të nxisë në të kurreshtën, interesin, dëshirën për të shkuar përpara, për të vënë në provë zgjuarsinë, forcën e vullnetit, durimin, cilësi aq të domosdoshme për të kaluar vështirësitë e pengesat që koha dhe rrethanat historike vinin me shumicë para shqiptarëve. Nëpërmjet shembujve të shumë njerëzve të shquar, jeta e të cilëve kishte filluar në vështirësi të mëdha, por kishte përfunduar me suksese marramendëse në fusha të ndryshme të shkencës, artit apo politikës të kombeve të tyre, Shantoja përciell mesazhin e optimizmit, të besimit në forcën dhe qëndrueshmërinë e popullit të vet. Njëkohësisht ai u thotë shqiptarëve se asgjë nuk arrihet lehtë, se asgjë nuk dhurohet, por fitohet me mund, me djersë e me sakrifica. Në këtë rrugë të ringjalljes së kombit e të përpjekjeve për të ecur në gjurmët e popujve të qytetëruar secili duhet të bëjë pjesën e tij. Kjo vlen për brezat si për individët, për prijsit ashtu si dhe për qytetarët e thjeshtë.
I krishterë e demokrat Don Lazri mundohet të zhdukë paragjykimet e kastës, të racës së zgjedhur, të “familjeve të mira”, sidomos në sistemin e shkollave, në mendësitë e mësuesve që kanë një rol parësor në rrugën e zhvillimit të kombit. Prej dorës së tyre do të dalin ata që do të çojnë përpara Shqipërinë në të gjitha fushat, do të dalin administruesit dhe shtetarët, artistët dhe profesionistët, ajo elitë intelektuale që do të bëhet shtylla vertebrale e një shoqërije që duhet të synojë të djegë etapat, të fitojë kohën e humbur për të hyrë me të drejta të plota në rradhën e popujve të qytetëruar. Shqipërisë i duhen mësues që të jenë të vetëdijshëm për misionin madhor që i pret e që punën e tyre t’a shohin në prizmin jo të fitimit të çastit, por të dobisë së t’ardhmes. Për autorin “ Âsht e dijtun se në këqyrëshin mësuesët vetëm me fitue kashatën e gojës, atbotë s’kanë për të pasë fitim tjetër veçse kashatën me zânë frymën e me mbajtë në veprim barkun; fitimet e vërteta, fitimet shpirtnore, ideale, kënaqa m’u njehë e me kênë ndër përparimprûesë t’atdheut, tue mbiellë nji farë qi nji ditë do të qesë fryte të madhnueshme, këto fitime duhet me pasë mësuesi ideal.”(f. 63)
Mendimi i Shantojës i paraprin projektit të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, mbasi është në vetvete mjaft i përparuar në krahasim me mendësinë zotëruese të kohës. Ai fshikullon patriarkalizmin tradicional dhe mashkuellsinë karakteristike të botkuptimit shqiptar, këshillon tolerancën e respektin e mendimit, megjithëse koncepti për gruan nuk i shpëton mendësisë së kohës e bëhet i papranueshëm për stadin e zhvillimit të Shqipërisë së sotme.
Problemet e ekonomisë shihen nën prizmin e mendësisë stataliste. Qeveria, Shteti duhet të jenë rregullatorë të ekonomisë, madje të përcaktojnë edhe drejtimin e mënyrën e funksionimit. Hasim në mendime proteksioniste që, në shikim të parë, shkojnë në favor të prodhuesve dhe blerësve shqiptarë, por që krijojnë një ekonomi të ngrirë e të mbyllur e cila, me kalimin e kohës, nuk ka aftësi zhvillimi.
Shtypi, forca e tij, rëndësia, funksioni, ndikimi mbi shtetin e shoqërinë janë një tjetër temë e shkrimeve të Shantojës. Ai është mjaft kritik, sidomos përsa i përket gjuhës së shkruar që, po të huazojmë një shprehje të Budit, “po bdaret e po bastardohet”. “ Mâ fort se asgjâ do të kritikojmë paaftësìn fenomenale të shumë shkrimtarve të cilët pà pregatitje studimesh marrin e shkruejn kryq e terthuer mbi çashtje për të cilat s’kan farë kompetence….. Perkundrazi kuer lypet me shqyrtue çashtjet mâ delikate të filozofìs, të moralit, të sociologìs, të gjithë duen me kên kompetenta, deri akshìt e kamerjerat… Ç’farë edukatet mûndet me i dhânë popullit t’onë nji shtyllë mbâjtun në kambë me mistrecat e pêndës, të nji pêndës shumë herë të shitme e partizane?…” (f.128) pyet me një zemërim të ligjshëm në faqet e “Orës së maleve” eruditi që kishte privilegjin të studjonte në gjuhët origjinale arritjet më të mira të kulturave të Perëndimit.
Shantoja ishte idhtar i shtypit të lirë e të pavarur, atij që ve në qendër të synimit paraqitjen e së vërtetës së paanëshme, një shtypi që nuk i nënështrohet forcës së parasë apo të pushtetit, sepse n’atë rast ai kthehet në të kundërtën e misionit të tij që është formimi i opinionit dhe njohja e lexuesit me rrjedhën e ngjarjeve të çdo dite. Interesi i tij rrok shumë sfera të jetës shqiptare e tematika e shkrimeve shtrihet pothuaj në gjithë gamën e dukurive të saj.
Në shkrimet jepet një tabllo aspak optimiste e ecurisë së Shtetit shqiptar, të problemeve të tij ekonomike, financiare, administrative. Në to bëhet një analizë anatomike e këtyre dukurive e vihet theksi mbi një aparat burokratik administrativ të stërfryrë që rëndon si një shkëmb mbi një ekonomi të dobët e të pazhvilluar, për të mos thënë të paqënë. “ A thue âsht nevoja për gjithëket personal? A perdoret gjithky personal pse Shqypënija e të mëkambunit e saj kan nevojë për tê, a po pse këta duen të jetojnë në shpinë të Shqypnìs?..” (f.131) pyet me dhimbje autori. Ndihet shqetësimi qytetar i Shantojës që futet deri në skutat më të errta të Vendit të tij, që i bën jehonë skamjes së pjesës më të madhe të popullit që kjo mënyrë organizimi e funksionimi e Shtetit nuk ndihmon aspak t’a lehtësojë. Shqetësimi është i sinqertë, i ndjerë, në përputhje edhe me misionin e famullitarit që përditë prek me dorë hallet e mangësitë e shqiptarëve të thjeshtë që mbushin famullinë çdo të djelë, që revoltohet e shpërthen kur sheh se “ si shkrryhet parja, si shpërdoret mûndi i fukaràs, i popullit, i bulkut, i puntorit. Për me mbajtë njerz parasita……qi nuk dijnë se si me jetue, veçse në shpinë të Shtetit, me nji nênpunësì të vjedhun me protekcjon…”. (f.131) Nuk kemi të bëjmë me një instrumentalizim të tipit marksist të dukurisë por me dhimbjen e thellë të atij që e do me gjithë zemër popullin e tij. Kjo dhimbje arrin deri në revoltë e dëshpërim kur sheh se kriteret e marrjes në punë të morisë së nëpunësve nuk janë meritat dhe zotësitë, por klientelizmat dhe hatëret politike. Janë plagë të hapura e të pambyllura kurrë deri në ditët tona, kur ende përballemi me këto dukuri, duke paragjykuar zhvillimin.
Në artikujt e botuar tek “Ora e maleve” ndihet fuqishëm pulsi i atdhetarit, por ka një dozë të madhe realizmi. Problemet e Vendit përballohen me zemër por edhe me mendje, kryesisht në kah kritik. Shkrimtari ka një objektiv të qartë rreth të cilit vërtitet e gjithë masa e shqetësimeve të tij: Shqipëria që duhet të ecë në rrugën e zhvillimit, të përparimit, të qytetërimit. Dukuritë që pengojnë këtë ecje janë në tehun e kritikës së publiçistit, janë lënda e pamfleteve të tij politike, objekt i fshikullimit, herë herë me tone mjaft të ashpra. Por Shantoja nuk është nihilist, nuk shikon vetëm errësirë në të tashmen e në t’ardhmen e kombit të tij. Ai ka aftësinë të shohë edhe dritën tek njerëzit idealistë që mundohen të shtrojnë rrugën, mbi të cilën breznitë e ardhme do të ndërtojnë shtetin bashkëkohor. “Shqypënìn e ka bâ inteligenca e do t’a mbâjë inteligenca, ose Shqypënìë nuk kem me pasë! Reservoir-i i forcës mâ të shndoshtë në Shqypnìë âsht qandra e saj intelektuale. Kur ndiejm bisedimet plot dieje e hollësië të nji Fan Nolit, dialektikën e shterngûet e të mbâtun të nji Luigj Gurakuqit, fjalën elektrixante te nji Ali Kelcyrës, gjuhën kirurgjike të nji Stavro Vinjaut, arsyetimet ligjore të nji Koço Tasit, na i harrojmë të tana eksplozjonet e soçme e nji fjalë e vetme e e ambël na tingllon në vesh: Po! ka Shqypnìë!” (f.143)
Shantoja është idealist, por në idealizmin e tij ka një farë pragmatizmi. Historia e botës i ka mësuar se popujt, në rrugën e tyre të zhvillimit, kanë arritur synimet kur kanë patur prijsa t’aftë e të kushtuar çështjes së tyre. Në pranì të tyre fashitet pezmi dhe lind shpresa për t’ardhmen e besimi në të. Kjo shpresë gjen burime ushqimi te të rinjtë, te studentët që, në Vende të ndryshme të Evropës, pregatiten me dije, kulturë e profesione e janë të gatshëm t’i venë në jetë këto në Atdheun e tyre. Kështu u krijua ajo elitë kulturore e pasur në Shqipërinë e viteve tridhjetë, që do të kositej pa mëshirë mbas 1944, si “inteligjencë borgjeze”, kundërshtare e regjimit komunist.
Duket se është një fatalitet historik për Shqipërinë fakti që i duhet të ëndërrojë gjithmonë një brez të ri që duhet t’a nxjerrë nga këneta e mbrapambetjes e t’a verë në rrugën e përparimit. “ Idét linden, rriten e frytësojnë vetëm në nji tokë virgjin; në mênden e në zêmbren e të rivet: prej tyne mandej dalin e pastrojnë kalbësinat e gjithshkaf ndalon perparimin o kristalizohet në trajtat e nji kohe qi ka prendue” (f.244) shkruante Don Lazri më 1924. Tetëmbëdhjetë vite më pas Mustafa Kruja, atëhere Kryeministër i Shqipërisë së bashkuar me Italinë, në intervistën dhënë gazetarit të njohur italian Indro Montaneli shprehet:
“Ne kemi një aristokraci të lodhur, të mbetur prapa, me parime që nuk i përshtaten më kohës sonë, një borgjezí të mangët në numur, në mjete e pregatitje, një masë në të cilën 70% është analfabete. Shpresa jonë është tek të rinjtë. Të rinjtë kanë vrulle që herë herë i shtyjnë shumë përpara, por janë të mbrujtur me një dashuri të pastër për atdheun e tyre e sinqerisht synojnë në formimin e një vetëdije kombëtare dhe vetiake. Shumë prej tyrë shkojnë për të studjuar në Itali. Kthehen që andej me padurimin për të ngritur vëndin e tyre në nivelin italian. Shpesh padurimi i shtyn në gabime, por qoftë i bekuar ai që gabon për bujarí. Un nuk dua të rinj të bindur verbërisht, por të ndërgjegjshëm e të disiplinuar. Natyrisht të parët do t’a bënin më të lehtë detyrën time si qeveritar, por nuk do të më jepnin asnjë garancí për të ardhmen. Për ne ajo që ka vlerë është vetëm e ardhmja”.
Sot, mbas gjashtëdhjetë vitesh të tjera, shpresa për të nxjerrë politikën shqiptare nga bataku dhe Vendin nga renditja e fundit në Evropë, është varur përsëri tek të rijtë. Edhe se shpesh hasim në zhgënjime në atë drejtim, mbasi jo çdo gjë që shndrit është ar, mendoj se përtëritja e vazhdueshme e politikës shqiptare është një domosdoshmërì. Për fat të keq nuk shihet në këtë prizëm nga një pjesë e mirë e klasës drejtuese që ruan pozitat e fituara, pa marrë para sysh faktin se koha kalon e nuk mund të ketë njerëz për të gjitha stinët. Megjithatë aktivizimi i mjaft të rijve të diplomuar jashtë Shtetit në administratën shtetërore është diçka inkurajuese.
Ndër shkrimet publiçistike të Shantojës mendoj se një vend të dorës së parë zenë ata që i kushtohen ngjarjeve dhe personazheve të politikës shqiptare në një hark kohor prej pothuaj një të katërt shekulli. Shkrimtari ishte një vëzhgues i mprehtë i tyre e, më shumë se pjesëmarrës me funksione të rëndësishme, ishte një viktimë e ndërgjegjëshme e atyre ngjarjeve. Pësoi burgime, internime e mërgime edhe se nuk ka patur asnjëherë ndonjë pozitë të lartë, madje nuk ka qenë as deputet. Por prifti poet është në simbiozë me ato ngjarje dhe protagonistët e tyre e penda e tij, së bashku me oratorinë, ndikojnë herë herë në mënyrë vendimtare në to. Shantoja është gjithmonë koherent me veten dhe parimet. Opinionet mund edhe të ndryshojnë, por vlerësimet kanë një kriter përcaktues e të paluajtshëm: interesi i Atdheut. Ky është metri i vërtetë e i vetëm që shërben si njësí matjeje për këdo e për gjithshka.
Ai ishte i pozicionuar në krahun e Opozitës antizogiste. Idhulli i tij ishte Luigj Gurakuqi që “Me nji duresë e nji palodhësië shembullore shkrîni jetën për idealin e nji Shqipënie të lirë, të madhe, të lume.”, kryetari i Opozitës në vitet 21-24. Martirët e lirisë e të demokracisë ishin Avni Rustemi, vetë Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Elez Isufi, Zija Dibra, Ramiz Daci, Zef Ndoci, Mark Raka. Bashkëluftëtarët me të cilët ndau bindjet e idealet ishin Mustafa Kruja, Stavro Vinjau, Qazim Koculi, Xhevat Korça etj. Në altarin e kombit ishin kolegët e tij më të njohur si Fishta, Gjeçovi, Mjeda, Harapi, Marlaskaj etj. Në fushën kundërshtare ishte Ahmet Zogu, Kryeministër, President e më pas Mbret i Shqipërisë, sinonim për një pjesë të shqiptarëve i së keqes në pushtet, i rrethuar nga bejlerë përkrahës si Eshref Frashëri, Mehdi Frashëri, Faik Konica etj. apo vrasës dhe ideatorë vrasjesh si Baltjon Stambolla, Çatin Saraçi etj.
Në këtë mikrounivers figurash politike Shantoja depërton me fuqinë e pendës , duke na lënë të skalitura bindjet e mendimet e tij. Ato janë frut pikëpamjesh objektive e subjektive të autorit, ndonjëherë edhe të pasioneve politike të tij. Por gjithsesi ata janë dëshmí të rëndësishme, mbasi dalin prej pendës së një personi pa paragjykime, që vlerëson duke u nisur nga faktet. Periudhat të cilave i referohen shkrimet janë ato 1920-24, koha e mërgimit 24-39 dhe vitet 39-43, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga italianët por kishte një status të posaçëm, sepse quhej e bashkuar me Mbretërinë e Italisë.
Për ngjarjet e këtyre hapësirave kohore historike autori mban qëndrime të ndryshme. Me botkuptim të përparuar demokrat mbështet pa rezerva revolucionin e qershorit 1924 dhe ata intelektualë e të rinj të Bashkimit që ishin flamurmbajtës të tij. Çuditërisht i kushton pak shkrime Qeverisë së Nolit dhe më shumë mërgimit politik që pasoi rënien e saj. Ndoshta ky fakt dëshmon për një farë zhgënjimi që pëson publiçisti Shantoja nga ajo qeverisje dhe në vetë të parë nga Kryeministri, të cilin në një shkrim të mëvonshëm e sulmon rreptë. Nga mërgimi në Jugosllavì, Austrì e Zvicër mundohet të analizojë gjëndjen e Shqipërisë reale, që përfaqësohet nga evolucioni i pushtetit të Ahmet Zogut deri në Mbretërì, por edhe atë alternative që ka fytyrën e mërgatës politike shqiptare antizogiste. Në këtë gjëndje konflikti të fortë e të përhershëm duket se nuk ka vend për biseda e marrëveshje. Për Shantojën, ashtu si për të gjithë të mërguarit politikë jashtë Atdheut, “Bota e ka marrë vesht se në Shqipnìë sundon nji President gjaksor, nji President qi mbytë me pare diten për diellë, nji President qi flet vetë me sikarët, qi u premton ndihmen e nji fuqiës s’huej, qi u premton lirim të shpejtë, rrogë të përmuejshme…” (f.370)
Por këtë kundërshtar politik, këtë “President gjaksor”, kur e sheh të diskredituar pa të drejtë nga një gazetë austriake, ka burrërinë t’i kërkojë Kancelarit austriak, Dr. Seipel, ndërhyrjen e tij për të vënë në vend prestigjin e atëhere Kryeministrit shqiptar. Ёshtë një nga perlat e këtij libri, një shembull ideal i moralit politik në një shkallë të lartë, një shprehje e harmonizimit të luftës politike me etikën e saj e me respektimin e institucioneve, një leksion stili për politikën e sotme në Shqipërì e më gjërë.
Nga ana e tij Zogu ishte i vetëdijshëm për forcën intelektuale të kundërshtarëve të tij, por dinte gjithashtu se mendësia evropiane e tyre nuk gjente një tokë të lëruar tek shqiptarët që donin kohë të tresnin shtresat dhjamore të botkuptimit lindor të trashëguar nga pesë shekuj. Ai u mundua me të gjitha mjetet t’a bëjë të parrezikëshme këtë Opozitë të shpërndarë e të përçarë në grupe, shtete e bindje politike të ndryshme. Kjo luftë në largësì vazhdoi, mes sharjesh, mallkimesh, denigrimesh e përbetimesh të ndërsjellta, deri në shtatë prillin 1939, kur Musolini dhe Çiano vendosën t’i shtojnë kurorës së Viktor Emanuelit edhe Mbretërinë shqiptare, duke dërguar ushtritë pushtuese në brigjet e saj.
Si shumë të tjerë edhe meshtari Shantoja la famullinë në Jurën Berneze dhe u kthye në Shqipërinë e “çliruar” nga “tirania” e Mbretit Zog. Ndryshimet e ndodhura i pa me shpresë e besim për t’ardhmen. Pushtimin e Vendit nuk e quajti një tragjedì, përkundrazi si një mjet për t’u bashkuar me Italinë e, nëpërmjet saj, me Evropën e qytetëruar, ku ai ëndërronte të shihte edhe Vendin e tij me të gjitha atributet. Shkrimet e kësaj periudhe ndoshta kanë qenë aktakuza më e fortë që drejtësia komuniste i ka bërë martirit të parë të ligjeve të saj. Ai merr në mbrojtje haptas e me forcë bashkimin me Italinë, jo sepse është i ndjeshëm ndaj interesave të saj, mbasi në shkrime të mëparëshme, sidomos në lidhje me vrasjen e Gurakuqit, flet mjaft ashpër për te. Në këtë bashkim kurorash ai sheh mundësinë e ecjes së Shqipërisë në rrugën e përparimit. Nëse i duhet të zgjedhë ndërmjet pavarësisë në varfëri e prapambetje, apo varësisë në mirëqënie e përparim ai zgjedh të dytën. Ai bën pjesë në atë aradhë intelektualësh e politikanësh shqiptarë që i konsideronin lidhjet me Italinë strategjike e prioritare, miqësinë me popullin e përtej detit si themelore për t’ardhmen e Vendit të tyre, e pushtimin si një dukurì e përkohëshme që nuk cënonte thelbin qenësor të shqiptarëve, të atyre që herë me qesëndì e herë me përbuzje apo urrejtje u quajtën “italofilë”. Në atë aradhë figura më e spikatur kishte qënë prijsi Luigj Gurakuqi që, për Shantojën si për shumë të tjerë, kishte qenë një etalon atdhetarizmi.
Duke dalë pak nga kuadri i bisedës së ngushtë për publiçistikën e Don Lazër Shantojës, desha të hap një tjetër fushë diskutimi që më duket i nevojshëm e që merr shkas nga leximi i librit. Si i ka trajtuar e vazhdon t’i trajtojë historiografia jonë zyrtare e jo këto ndodhì e figura që mbushin faqet e librit, për të cilin po flasim, dhe a ka vend për ndryshime n’atë drejtim? Duke marrë në analizë tre periudhat kryesore që trajton Shantoja si revolucioni i qershorit dhe Opozita antizogiste, mbretërimi i Zogut dhe roli i tij, pushtimi fashist e bashkimi me Italinë, për më shumë se gjysmë shekulli më duket se janë trajtuar vetëm në formë manikeiste, në vështrimin bardh e zì. Për historiografinë komuniste që, fatkeqësisht ende nëpërmjet studjuesve dhe mendësisë, vazhdon të diktojë në forma të ndryshme logjikën e saj, revolucioni i qershorit 1924 ka qenë një ngjarje epokale në drejtim të demokratizimit të Shqipërisë, periudha e Zogut një kohë e errët tiranie dhe bashkimi me Italinë tragjedia më e madhe për Shqipërinë.
Sot, kur kemi lënë mbas krahëve qindvjetorin e shkuar, me të gjitha mizoritë që ideologjitë totalitare shënuan me pasoja të mnershme për botën dhe për ne, më duket se ka ardhur koha të bëjmë një bilanc objektiv, të saktë e të vërtetë të atyre ngjarjeve, të shkaqeve e pasojave të tyre, por edhe të jetëve të protagonistëve të tyre. Duhet të jetë një bilanc pa pasion politik, t’i nënështrohet analizës së ftohtë të një arsyetimi që duhet të ketë si bosht qëndror vetëm një idè, interesin e vërtetë të Shqipërisë larg skemave ideologjike, si lëndë për të bluajtur në mullirin e tij vetëm faktet historike të shkoqura, të pastra e të pashtrembëruara. Studjuesit, që duhet të shkruajnë një historì të vërtetë të Vendit tonë, duhet të jenë si gjykatësit e paanshëm që duhet të shqyrtojnë ata fakte për të nxjerrë prej tyre të vërtetën e pakundërshtueshme. Do të ishte mision i tyre shkokolepsja e shumë nyjeve të pazgjidhura të historiografisë tonë e vlerësimi, në përmasat e tyre të vërteta, të figurave politike të mpleksura në to. Besoj se është kjo një nga detyrat kryesore të brezit të ri të studjuesve shqiptarë, mjerisht të pakët e të mangët, sidomos në këtë fushë.
Ёshtë detyrë e tyre të çlirojnë historiografinë nga termat “tradhëtarë të atdheut”, “armiq të popullit”, “të shitur”, “kriminelë” e të tjera paçavure të këtij lloji, që një klimë e helmuar arbitrariteti komunist ka projektuar pa mëshirë mbi të. Jam i bindur se kuadri, që do të dilte nga një punë e tillë e që do të ishte fotografia e vërtetë e së shkuarës sonë, duke iu referuar periudhave historike për të cilat shkruan Don Lazër Shantoja, do të kishte një pamje krejt tjetër nga ai që gjejmë në tekstet e historisë dhe pjesërisht edhe nga ato që shohim në shkrimet e tij. Ndoshta do të gjenim revolucionin e qershorit 1924 dhe qeverimin e Nolit si një nga gabimet më të mëdha të një pjese të klasës politike t’asaj kohe dhe Ahmet Zogun jo vetëm si një tiran që urdhëron vrasjet e kundërshtarëve politike, por edhe si një nga shtetarët më të shquar të këtij kombi, me një ndihmesë themelore në formimin e strukturave të Shtetit shqiptar dhe të ecurisë së tij në rrugën bashkëkohore. Po ashtu të ashtuquajturit “kolaboracionistë”, jo si “tradhëtarë” e “të shitur” tek fashizmi, por si atdhetarë në shkallë sipërore që, për të mbrojtur interesat e Vendit të tyre, në një nga çastet më të vështira të tij, nuk nguruan të venë në altarin e tij gjënë më të shtrenjtë që kishin, dinjitetin njerëzor e politik.
Jam i bindur se sita e historisë, shpejt a vonë, do të kryejë funksionin e saj për t’i dhënë të rinjve të Shqipërisë së sotme e të nesërme mundësinë të njohin me saktësi bëmat e të parëve të tyre, për të shmangur mashtrimin e madh që ne dhe brezat parardhës pësuam, si pasojë e vënies në jetë të një projekti politik që i kushtoi kaq rëndë Atdheut tonë. Ne duhet t’a nxisim këtë proçes jo se jemi të përmalluar të së shkuarës, por se jemi idhtarë të së vërtetës e se mendojmë se në themelet e së ardhmes së shoqërisë sonë nuk duhet të ketë mashtrime e shtrembërime dashakeqe.
Këtij qëllimi i shërben edhe botimi i këtij libri, meritë e punës së gjatë, të ndërgjegjëshme, cilësore e plot pasion të vëllezërvë Marku, të cilëve i shkon falënderimi im i sinqertë dhe përgëzimi i ngrohtë së bashku me urimin që kjo punë të vazhdojë në dobi të së vërtetës historike, të kulturës sonë, të nxjerrjes në dritë të vlerave kombëtare të mbuluara nga pluhuri i harresës që komunizmi qëllimisht hodhi mbi to për një gjysëm shekulli.

Maj 2006

Marrë nga vëllimi : “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011

blank

Inceneratorët- PD: Rama injoroi planin e BE. I dha 22 milionë euro të shpallurës në kërkim Stela Gugallja

Deputeti i PD-së Belind Këlliçi ka bërë publike të tjera fakte në lidhje me aferën e inceneratorëve.

Në deklaratën për shtyp nga selia e PD, Këlliçi theksoi se kryeministri Edi Rama injoroi planin e financuar nga BE dhe i dha 22 milionë euro të shpallurës në kërkim Stela Gugallja, për një propozim të pakërkuar dhe të paçertifikuar për Incineratorin e Elbasanit?

Deklaratë e deputetit Belind Këllici

Ju ftoj të shohim sot fillimin e historisë me mega-aferën e inceneratorëve. Kur nuk kishte interes korruptiv, në përputhje me Strategjinë dhe Planin e Veprimit të Mbetjeve, Edi Rama nxori VKM nr. 418 datë 25.06.2014 “Për Grumbullimin e Diferencuar të Mbetjeve në Burim”.

Ky Vendim i Këshillit të Ministrave detyronte të gjitha bashkitë të merrnin masa brenda datës 31.12.2016 për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve.

Këtu mund të shihni VKM që sapo përmenda.

Image

Me të drejtë sot do të shtrojmë sërish 5 pyetje për inceneratorët:

Pyetje 1: A është në fuqi ende apo u anulua kjo VKM?

Pyetje 2: Çfarë interesi apo halli i madh ndodhi që u la në harresë dhe u injorua kjo VKM që ishte në përputhje me strategjinë dhe planin kombëtar të mbetjeve të financuara nga BE?

Vetëm 6 muaj pas asaj VKM-je, duket se Edi Ramën një hall i madh, apo interes shumë më i madh e shtyu të ndryshonte drejtim dhe më 17 Dhjetor 2014 nxori VKM për t’i dhënë 22 milionë euro Stela Gugalles për një propozim të pakërkuar dhe të paçertifikuar për Incineratorin në Elbasan.

Ndërkohë nëse do të shohim pak kontratën për Inceneratorin e Elbasanit do të shohim se:

Karakteristikat e inceneratorit (kapaciteti, fuqia, ndotja, etj.) të gjitha janë në kontratë, dhe, gjithashtu në aneksin A të kontratës do të shohim se pikërisht kjo zhgarravinë që ju shihni këtu është botuar në fletore zyrtare si karakteristikat e detajuara të inceneratorit për të cilin janë grabitur plotë 22 milionë euro para publike deri më sot.

Image

Image

Me të drejtë pyetja numër 3 që ne shtrojmë është: Cilën karakteristikë të inceneratorit ka shpjeguar zhgarravina e mësipërme?

Image

Ftoj të gjithë qytetarët që ta shohin me sytë e tyre. E nëse do të shohim pak më tej kontratën do të dallojmë një pjesë që shpjegon fare qartë se veprim shtetëror thellësisht në kundërshtim me kontratën është në pikën C, çdo ndalim apo kushtëzim me marrjen dhe transferimin e përfitimeve apo të ardhurave të konçensionarit, kapitalit apo borxheve sipas dokumentave financiare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë përfshirë ndalimin dhe kufizimin e këmbimit jashtë shtetit.

Pra ndalohet me kontratë që shteti të stopojë apo kushtëzojë marrjen dhe transferimin e parave publike për mjeshtrat e inceneratorëve që do i çojnë jashtë vendit.

Përse është kjo pikë?

Pyetje 4: Kush i ka hartuar kontratat për inceneratorët? Kanë thagma të paimagjinueshme. A’i ka hartuar Drejtoria Juridike e Këshillit të Ministrave siç e detyron ligji apo jo? A janë dhënë këto kontrata të gatshme? A ka përgjegjësi ligjorë në këtë mes apo jo?

Pyetje 5: Sa eksperiencë në incenerim dhe në investim kishte kompania e posakrijuar e Stela Gugalles, të cilës i’u dha kontrata 22 milion euro për inceneratorin e Elbasanit?

Po Klodian Zoto, përfituesi real i parave publike dhe sipërmarrësi i punimeve të Inceneratorit të Elbasanit, personi i cili në fakt “ndërtoi” një karakatinë hekurishtesh në Elbasan e cila nuk ka ende asnjë funksion dhe sot që flasim, që jemi ende në muajin gusht të vitit 2022 përveç tenderave të ujësjellsave në Bashkitë Rilindase të Fierit dhe Korçës, çfarë experience të mëparshme kishte ky sipërmarrës?

Çfarë pune të ngjashme kishte bërë më pare me sukses Klodian Zoto, mbi bazën e së cilës i tërë shteti ynë u ngrit në këmbë me 14 vendime dhe brënda ditës në një natë dhjetori i kaloi këtij sipërmarrësi plot 22 milionë euro? Ja ku e keni dhe aktin e kolaudimit për Inceneratorin e Elbasanit në të cilin Klodian Zoto shprehet fare qartë se është sipërmarrësi i punimeve dhe rrjedhimisht përfituesi real i parave publike dhe i 22 milion euro të Inceneratorit të Elbasanit.

Image

Të nderuar qytetarë Partia Demokratike po dëshmon çdo ditë e më shumë se megaafera e inceneratorëve, tregon fare qartë faktin se Edi Rama, Arben Ahmetaj, Ëngjëll Agaçi dhe Erjon Veliaj, etj krijuan një grup të strukturuar kriminal për të përvetësuar 430 milionë euro para publike.

Po ju të nderuar qytetarë çfarë mendimi keni?

blank

Ndahet nga jeta gazetari i njohur italian Piero Angela, popullarizues i madh i dijeve shkencore dhe teknologjike

VOAL- I lindur në Torino në vitin 1928, Piero Angela (Pjero Anxhela) filloi aktivitetin e tij gazetaresk në RAI si reporter radiofonik, përpara se të bëhej korrespondent dhe prezantues i lajmeve televizive.

Ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare gazetari i njohur televizive, një personalitet i shquar veçanërisht në fushën e përhapjes shkencore dhe teknologjike.

“Udhët të mbarë babi”, ka shkruar djali i tij Alberto në profilet e tij në rrjetet sociale duke njoftuar vdekjen e babait të tij. I lindur në Torino në vitin 1928, Piero Angela filloi aktivitetin e tij gazetaresk në RAI si reporter radiofonik, përpara se të bëhej korrespondent dhe drejtues i lajmeve televizive.

Fama e tij e madhe lidhet me programet e tij të lidhura me shkencën, nga Quark në Superquark vetëm për të përmendur më të rëndësishmit, me të cilat ai themeloi një traditë solide dokumentare për televizionin italian. Piero Angela ishte gjithashtu autor i disa librave, gjithnjë me karakter popullor. Botimi i autobiografisë së tij me titull “Udhëtimi im i gjatë” daton në vitin 2017.

Ministri italian i kulturës Dario Franceschini, duke komentuar largimin, i bëri homazhe Angelës, duke e quajtur atë “një popullarizues i madh, një njeri i shkencës dhe kulturës që, duke shfrytëzuar mundësitë e shërbimit televiziv publik, ka lejuar breza të tërë italianësh të marrin më afër shkencës dhe për të kuptuar sekretet e saj”.

Në një mesazh lamtumire drejtuar publikut të tij, publikuar pas njoftimit të vdekjes, në profilet sociale të programit Superquark, Angela shkruan: “Të dashur miq, më vjen keq që nuk jam më me ju pas 70 vitesh bashkë. Ato kanë qenë vite shumë stimuluese për mua që më kanë çuar të njoh botën dhe natyrën njerëzore. Mbi të gjitha kam pasur fatin të takoj njerëz që më kanë ndihmuar të arrij atë që çdo njeri do të donte të zbulonte. Falë shkencës dhe një metode e cila ju lejon të përballeni me problemet në mënyrë racionale por në të njëjtën kohë njerëzore (…) Nga ana tjetër, jam përpjekur të tregoj atë që kam mësuar. Të gjithë të dashurit e mi, mendoj se kam bërë pjesën time. Mundohuni të bëni edhe ju tuajën ër këtë vendin tonë të vështirë, një përqafim i madh”. rsi-eb

blank

E vërteta pas mitit të Rusisë se “kërcënohet” nga NATO – Nga Oleg Chupryna

Regjimi i Vladimir Putin shpenzon më shumë se 300 milionë dollarë në vit për përhapjen e propagandës dhe dezinformatave të tij në gjuhë të ndryshme në mbarë botën, një përpjekje që është thelbësore për luftën hibride të Rusisë kundër Perëndimit.

Vendet e Ballkanit janë treguar veçanërisht të ndjeshme ndaj ofensivës së mediave ruse.

Sondazhet e fundit në Serbi, për shembull, tregojnë se një shumicë e madhe ka pikëpamje anti-perëndimore shumë të ngjashme me ato dominuese në vetë Rusi; rreth 70 për qind e serbëve e konsiderojnë NATO-n një kërcënim për sigurinë evropiane.

Kjo përkundër faktit se Bashkimi Evropian, me shumicën e anëtarëve të tij gjithashtu pjesë e NATO-s, është deri tani partneri më i madh tregtar i Serbisë (62 për qind e të gjithë tregtisë), investitori (67 për qind e të gjitha investimeve të huaja) dhe donatori më i madh.

Me rreth 300 milionë euro ndihmë të pakthyeshme, Serbia është ndër tre përfituesit kryesorë të transfertave të parave nga BE-ja.

Dezinformimi rus është një nga arsyet kryesore, por jo të vetmet, pas hendekut mes perceptimeve të serbëve dhe realitetit objektiv.

Çuditërisht, shumica e miteve dhe narrativave të Rusisë, nëse jo të gjitha, kanë një ankesë të vetme për “zgjerimin” e NATO-s në lindje dhe “kërcënimin” e saj për sigurinë kombëtare ruse.

Kjo narrativë dominon propagandën e Kremlinit jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. Moska e portretizon agresionin e saj të vazhdueshëm kundër Ukrainës si një sulm parandalues ​​kundër një NATO-se që ishte gati të sulmonte Rusinë.

Për të ekspozuar këto pretendime, duhet ta shohim këtë “mit” përmes thjerrëzave të provave të bazuara në fakte.

Mbrojtje dhe parandalim, jo ​​shkatërrim

A ka përbërë ndonjëherë NATO-ja një kërcënim real për Rusinë?

SHBA-aj dhe aleatët e tyre e krijuan aleancën në agimin e Luftës së Ftohtë midis kampit totalitar komunist dhe Perëndimit të lirë demokratik. Qëllimi kryesor i kësaj aleance politiko-ushtarake ishte mbrojtja dhe parandalimi përballë Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të tij satelitore komuniste, të cilat nuk e fshehën dëshirën e tyre për shkatërrimin e botës së lirë “kapitaliste”.

Me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe rënien e Bashkimit Sovjetik në 1991, NATO-ja miratoi një qasje më të gjerë në të cilën objektivat e saj parësorë të mbrojtjes dhe parandalimit plotësoheshin me ato të bashkëpunimit dhe sigurisë, duke përfshirë parandalimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

NATO-ja është përpjekur gjithashtu të ndërtojë një partneritet me Rusinë. Ajo themeloi Këshillin NATO-Rusi, i cili siguroi një mekanizëm për konsultim dhe bashkëpunim për një spektër të gjerë çështjesh të sigurisë në rajonin euro-atlantik.

Kështu, strategjitë dhe politikat zyrtare të NATO-s janë fokusuar thjesht në mbrojtjen dhe parandalimin dhe në krijimin e mekanizmave praktik të sigurisë dhe bashkëpunimit.

Dikush mund të kundërshtojë se qëndrimi zyrtar i organizatës dhe qëllimet dhe veprimet e saj reale mund të ndryshojnë. Për t’iu kundërvënë këtij argumenti, do të mjaftonte të theksohej se midis viteve 1945 dhe fundit të viteve 1950, SHBA-ja dhe aleatët e saj kishin një epërsi absolute bërthamore ndaj Bashkimit Sovjetik dhe mund ta kishin asgjësuar atë po të donin.

Pretendimet e Rusisë për “premtimet” e bëra udhëheqësve të saj nga Perëndimi në fillim të viteve 1990 në lidhje me kufizimet e “zgjerimit” të NATO-s drejt lindjes nuk pinë ujë. Nuk ka asnjë dokument apo marrëveshje që do të ofronte një siguri të tillë.

Për më tepër, nocioni i një “zgjerimi” drejt lindjes keqinterpreton plotësisht atë që NATO-ja është në të vërtetë. Ai është një plejadë kombesh sovrane, më shumë se një perandori me një shtytje ekspansioniste.

Organizata bazohet në politikat e dyerve të hapura ndaj kombeve evropiane që dëshirojnë t’i bashkohen klubit, i cili nuk është vetëm një aleancë ushtarake. Ajo është gjithashtu një organizatë politike e bazuar në vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut si kushtet e përcaktuara për anëtarësim.

Demokratizimi i ish-subjekteve të Rusisë përfaqëson vërtet një kërcënim, por jo për popullin rus. Ai është një kërcënim për regjimin autoritar kleptokratik të Rusisë. Kombet e lira dhe demokratike “i japin një shembull të keq” popullit rus.

Të gjitha vendimet në NATO merren me konsensus, gjë që pengoi në mënyrë efektive anëtarësimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në vitin 2008, kur disa vende anëtare, nga frika e reagimit të Rusisë, votuan kundër. Shumë tani pajtohen se ky ishte një gabim që i kushtoi Ukrainës mijëra jetë dhe shkatërrimin e ekonomisë dhe infrastrukturës së saj.

Prania e trupave amerikane është ulur që nga viti ‘91

Perspektiva e dytë në zhvlerësimin e narrativës së Rusisë për kërcënimin e NATO-s për sigurinë e saj është reduktimi i forcave të Aleancës në Evropë që nga viti 1991.

Për shembull, në vitin 1989, mbi 315,000 trupa amerikane, të cilat formonin forcën kryesore ushtarake të NATO-s, u vendosën përgjithmonë në Evropë. Deri në vitin 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë e Ukrainës, numri i tyre ishte reduktuar në rreth 61,000.

Brenda së njëjtës periudhë, numri i avionëve ushtarakë amerikanë në Evropë ra nga 800 në 170, ndërsa të 5000 tanket amerikanë u kthyen në SHBA.

Në përgjithësi, prania ushtarake amerikane në Evropë deri në vitin 2014 ishte vetëm 15 për qind e madhësisë së saj në 1989.

Shtetet anëtare evropiane të NATO-s gjithashtu reduktuan forcat e tyre ushtarake pas përfundimit të Luftës së Ftohtë; deri në vitin 2014, buxheti mesatar ushtarak ishte rreth 1.6 për qind e PBB-së. Ndërkohë, Rusia po modernizonte intensivisht armët e saj dhe po reformonte forcat e saj ushtarake me shpenzime ushtarake midis 3.2 dhe 5.4 për qind të PBB-së.

Është gjithashtu e rëndësishme të kujtojmë se Rusia është një fuqi bërthamore me arsenalin e dytë më të madh në botë. Pas mposhtjes së Bashkimit Sovjetik në Luftën e Ftohtë, Perëndimi nuk i kërkoi Rusisë të hiqte qafe arsenalin e saj bërthamor. Në vend të kësaj, ai e shtyu Ukrainën, Bjellorusinë dhe Kazakistanin drejt çarmatimit të plotë bërthamor. Pse Perëndimi do ta bënte këtë, nëse do të sulmonte ose pushtonte Rusinë?

Pretendimet e Rusisë se ajo e aneksoi Krimenë për të penguar krijimin e bazave ushtarake të NATO-s në territorin e saj me raketa të drejtuara ndaj Rusisë, nuk qëndrojnë.

Nëse NATO-ja do të vendoste raketa në rajonin Sumy të Ukrainës, për shembull, ato do të ishin rreth 520 kilometra nga Moska. Nga ana tjetër, Krimea është 1500 km larg kryeqytetit rus.

Për më tepër, anëtarët e NATO-s, Lituania, Letonia dhe Estonia janë qindra kilometra larg Moskës. Shën Petersburgu është edhe më afër.

Por ndërkohë që këto shtete baltike janë anëtarë të NATO-s që nga viti 2004, asnjë forcë e rëndësishme e NATO-s apo armë bërthamore nuk është vendosur në këto vende. Edhe para pushtimit të Ukrainës, ka qenë gjithmonë Rusia ajo që i ka kërcënuar vazhdimisht fqinjët e saj gjatë shekujve të fundit.

Raketat ruse Iskander të stacionuara në enklavën e Kaliningradit të Rusisë janë vetëm 300 km nga Varshava dhe 580 km nga Berlini. Vetëm Divizioni i Sulmeve Ajrore të Gardës së 76-të të Rusisë, me qendër në Pskov, 30 km nga kufiri i Estonisë, është ndoshta një ushtri më e fuqishme se çdo gjë që mund të grumbullojë Estonia.

Rusia posedon gjithashtu arsenalin e dytë më të madh të armëve bërthamore në botë, duke përfshirë nëndetëset e shumta të armatosura me raketa që mbajnë koka bërthamore që mund të godasin çdo vend perëndimor në një distancë relativisht të shkurtër.

Prandaj ka shumë gjëra të pavërteta në pretendimet e Rusisë për kërcënimin që i paraqitet sigurisë së saj kombëtare nga “zgjerimi” i NATO-s në lindje.

Modeli pushtimi dhe mizorish

Pra, cila është arsyeja e vërtetë për politikën agresive anti-perëndimore të Rusisë?

Kjo duket jo duket qartë, nëse dikush merr kohë për të lexuar fjalimet, intervistat ose artikujt e Putinit dhe figurave të tjera publike në Rusi.

Retorika revanshiste e Rusisë përfshin jo vetëm subjektet e ish-Bashkimit Sovjetik, por edhe ato të perandorisë cariste ruse. Ajo kërkon të tërheq në sferën e dominimit të Rusisë Evropën Qendrore dhe Lindore dhe Finlandën gjithashtu, duke dobësuar ose shpërbërë BE-në dhe NATO-n.

Në këtë kontekst, nuk duhen harruar shekujt e zgjerimit rus, duke filluar kur Dukati i vogël i Moskovës gllabëroi tokat përreth tij për t’u bërë një perandori e madhe që në kulmin e saj pushtoi një të pestën e tokës së thatë të planetit.

Vlen gjithashtu të kujtojmë se veprimet e Kremlinit flasin më shumë se fjalët e tij.

Ukraina nuk është i pari nga fqinjët e Rusisë që pushtohet. Kremlini ka demonstruar vazhdimisht synimet e tij neo-imperialiste që nga fillimi i viteve 1990, qoftë drejtpërdrejt, si në rastet e Transnistrisë në vitet 1990, Gjeorgjisë në 2008 dhe Krimesë në 2014, ose në mënyrë indirekte si në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut në vitet 1990 dhe Donbasin e Ukrainës që nga viti 2014.

Në Ukrainë, Rusia po kryen mizori të ngjashme me ato që kreu në vitet 1990 në Çeçeni – bombardime në shkallë të gjerë, pa dallim të zonave të banuara në qytetet kryesisht rusishtfolëse të Ukrainës, Mariupol, Kharkiv dhe të tjerë dhe torturat, përdhunimet dhe vrasjet masive të qindra civilëve ukrainas zbulojnë përsëri natyrën e vërtetë të regjimit dhe shoqërisë bashkëkohore ruse.

Kjo, pa asnjë dyshim, hedh poshtë të gjitha akuzat e rreme të Rusisë në lidhje me kërcënimin e pretenduar të NATO-s për sigurinë e saj. Vetë Rusia mbetet një “perandori e lig”. Duke kërcënuar vazhdimisht se do të përdorë armë të shkatërrimit në masë, ajo mbetet një kërcënim vdekjeprurës për fqinjët, për lirinë dhe për mbarë njerëzimin.

BIRN

blank

Pse Lufta III Botërore do varet nga zgjedhjet amerikane të vitit 2024 – Nga Joschka Fischer

Nuk mbaj mend ndonjë periudhë gjatë 75 viteve të fundit kur ka pasur një grumbullim kaq masiv tronditjesh të mëdha dhe të vogla. Bota sot po përballet me intensifikimin e ndryshimeve klimatike, një pandemi, luftëra të mëdha, inflacion në rritje, ndërprerje në tregtinë ndërkombëtare dhe zinxhirët e furnizimit, dhe mungesa akute të ushqimit dhe energjisë.

Një pjesë e konsiderueshme e kësaj trazire rrjedh nga rivalitetet e reja midis fuqive të mëdha. Kjo ka pasur pasoja shumë të dukshme dhe kaotike, të mishëruara nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Nuk duhet të jesh profet për të parashikuar se konflikti do të jetë një akt në një tragjedi më të gjatë. Në Azinë Lindore, pretendimi i Kinës ndaj Tajvanit kërcënon gjithashtu të çojë në përshkallëzim ushtarak. Dhe në Lindjen e Mesme, programi i vazhdueshëm bërthamor i Iranit shumë lehtë mund të shkaktojë një konflikt të madh ushtarak.

Shkurtimisht, ne jemi dëshmitarë të prishjes së Pax Americana që përforcoi marrëdhëniet ndërkombëtare për më shumë se 70 vjet pas Luftës së Dytë Botërore. Pasi dolën si fituese në të dyja luftërat botërore të shekullit të njëzetë, Shtetet e Bashkuara vazhduan të fitonin Luftën e Ftohtë që pasoi. Gjatë asaj kohe, ajo garantoi paqen dhe stabilitetin në Evropë – e cila ishte lënë kryesisht e shkatërruar në 1945 – dhe hodhi themelet për sistemet e reja shumëpalëshe të tregtisë dhe të drejtës ndërkombëtare, të krijuara nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, anëtarësimi në të cilën u zgjerua si rezultat i dekolonizimit. Por me ngritjen e Kinës dhe të tjerëve, Pax Americana – që sigurisht nuk ishte e përsosur – i ka lënë vendin një realiteti më multipolar.

Veçanërisht që nga fillimi i këtij shekulli, ekonomia botërore po kalon një transformim themelor teknologjik. Digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale po ristrukturojnë rrënjësisht ekonomitë e përparuara dhe po ribalancojnë fuqinë politike globalisht. Që nga kriza financiare e vitit 2008, kushtet globale janë bërë më kaotike, duke zbuluar të meta fatale në hamendësimet perëndimore. Evropa iu nënshtrua iluzionit se një partneritet energjetik me Rusinë do të siguronte paqen dhe stabilitetin në kontinent. Dhe liderët amerikanë gabimisht besuan se përfshirja e Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe marrëveshjet e tjera shumëpalëshe do të çonte në mënyrë të pashmangshme në demokratizimin e saj.

Në të dy rastet, liderët perëndimorë ishin të verbër ndaj synimeve dhe objektivave strategjike të liderëve rusë dhe kinezë. Ata ishin aq të sigurt në atraktivitetin universal të modeleve të tyre civilizuese, saqë nuk arritën të parashikonin pasojat politike të varësive ekonomike që kishin pranuar. Fatura për këtë naivitet tani po vjen dhe do të jetë e madhe.

Kina është bërë shpejt një rival teknologjik i Perëndimit, dhe veçanërisht i SHBA-së, që nuk është diçka që Bashkimi Sovjetik mund ta pretendonte ndonjëherë, edhe në kulmin e “krizës Sputnik”. Mbetet për t’u parë se ku do të çojë kjo fazë e re konkurrence sistematike globale; por është e sigurt të thuhet se Kina do të jetë një arrë e vështirë për t’u çarë. Për më tepër, gara e re e fuqive të mëdha do të zhvillohet në kushte krejtësisht të reja globale. COVID-19 dhe ndryshimet klimatike kanë ndryshuar rrënjësisht llogaritjen globale ekonomike dhe politike dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë.

Nëse njerëzimi nuk arrin të reduktojë emetimet e gazrave serrë me ritmin e nevojshëm për të mbajtur nën kontroll ngrohjen globale, ai do të hyjë në një epokë krizash globale të pakthyeshme dhe potencialisht të pakontrollueshme. Më keq akoma, për shkak të dinamikës së re konkurruese globale, fuqitë e mëdha do të shkojnë në drejtim të konfrontimit të intensifikuar, edhe pse sfidat me të cilat përballemi kërkojnë bashkëpunim më të ngushtë. Kjo është tragjedia e vërtetë e luftës së presidentit rus Vladimir Putin. Përtej shkatërrimit të saj dhe vuajtjeve të papërshkrueshme njerëzore, kriza e Ukrainës po i kushton njerëzimit një kohë të çmuar të cilën ai nuk e ka.

Këtu duhet përmendur një krizë e fundit. Mes gjithë kaosit global, SHBA-ja ka gjithashtu probleme të thella të brendshme që vënë në dyshim të ardhmen e saj si një demokraci e qëndrueshme dhe funksionale. Më 6 janar 2021, vendi përjetoi tentativën e parë të grushtit të shtetit. Siç ka treguar Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve të 6 Janarit, Donald Trump u përpoq të përmbyste zgjedhjet e vitit 2020 duke nxitur një turmë të dhunshme që të sulmonte Kapitolin e SHBA-së. A do të tregohet mjaft elastike demokracia amerikane për të parandaluar që diçka e tillë të ndodhë përsëri, apo do të ketë sukses Trump apo një figurë e ngjashme me Trump aty ku dështoi “prova” e 6 janarit?

Kjo pyetje do të jetë vendimtare, jo vetëm për SHBA-në dhe demokracinë e saj, por edhe për aleatët e saj dhe të ardhmen e njerëzimit më gjerësisht. Zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 mund të jenë të parat ndonjëherë që kanë pasoja të drejtpërdrejta civilizuese dhe planetare. Nuk është rastësi që fati i botës në shekullin e njëzet e një do të vendoset në demokracinë e saj më të vjetër dhe në vendin që ka nënshkruar rendin ndërkombëtar për 75 vitet e fundit.

BIRN

blank

Rushdie rrezikon të humbasë një sy, autori kishte simpati për Iranin

Policia e Nju Jorkut ka identifikuar autorin e sulmit ndaj shkrimtarit të njohur Salman Rushdie.

Bëhet fjalë për 24-vjeçarin Hadi Matar, banues në New Jersey, i cili u arrestua fill pas krimit. Sipas raportit të policisë, sulmuesi nxitoi në skenë ndërsa Rushdie po përgatitej të mbante një fjalim gjatë një seminari të Fondacionit Chotokwa, ndërsa goditi disa herë në qafë dhe bark shkrimtarin 75-vjeçar, i cili u rrëzua në tokë.

Sulmuesi u kap nga të pranishmit në sallë, ndërsa më pas policia e arrestoi. Ende nuk dihet motivi i sulmit, ndërsa policia e Nju Jorkut tha se nuk ka pasur të dhëna për kërcënime të mundshme para ngjarjes. Gazeta Daily Mail shkruan se autori i dyshuar kishte simpati për qeverinë iraniane.

Salman Rushdie u transportua me helikopter në spital dhe iu nënshtrua një operacioni prej disa orësh. Aktualisht ai mbetet i intubuar dhe rrezikon të humbasë shikimin në njërin sy. Mësohet se nga goditjet ai ka pësuar dëmtime të rënda nervore në njërën dorë dhe mëlçi, tha agjenti i tij, Andrew Wiley.

“Lajmet nuk janë të mira. Salman ndoshta do të humbasë shikimin në njërin sy; nervat në dorën e tij janë prerë; dhe mëlçia e tij është goditur me thikë dhe dëmtuar”, tha zoti Wiley në një deklaratë. Rita Lundman, një endokrinologe, e cila ishte në audiencë dhe nxitoi në vendngjarje menjëherë pasi shkrimtari u plagos, tha se Salman kishte plagë të shumta me thikë, duke përfshirë një në anën e djathtë të qafës.

Libri “Vargjet Satanike” i shkruar nga Salman Rushdie shkaktoi bujë në disa vende të botës myslimane në vitin 1988, pasi u cilësua se kishte përmbajtje “blasfemuese”. Disa muaj më vonë, lideri fetar suprem i Iranit, Ajatollah Khomeini, nxori një dekret fetar duke bërë thirrje për vrasjen e Rushdies. Për disa vite shkrimtari ka qenë i fshehur, pasi kishte frikë për jetën e tij.

Qeveria e Iranit njoftoi në vitin 1998 se nuk e mbështet më dekretin fetar (“fatfa”), por organizatat ekstremiste myslimane ofruan një shpërblim prej miliona dollarësh për këdo që vriste shkrimtarin me origjinë indiane. syri.net

ImageImageImageImage

blank

Masakra në Mal të Zi- Tragjedia me 10 viktima pas konfliktit për qiranë

Një konflikt për qiranë e banesës shkaktoi 10 viktima dhe 6 të plagosur mbrëmjen e së premtes në Malin e Zi. Për këtë ngjarje të rëndë, qeveria malezeze ka shpallur tre ditë zie. Autori 34-vjeçar, Vuko Boriloviç hyri në banesën e qiramarrësve të tij rreth orës 15:30 dhe vrau një fëmijë 11 vjeç. Pas tij vrau edhe vëllain tre vjet më të vogël dhe plagosi nënën e tyre, të identifikuar si Natasha Pajoviç.

Pas ngjarjes telefonoi bashkëshortin e saj Millosh Martinoviç për t’i rrëfyer krimin duke i thënë: “Unë kam vrarë familjen tënde dhe timen”.

Në 45 minutat e ardhshme, në një distancë totale prej 80 metrash nga shtëpia e tij në qytetin Cetinje, vrau dhe 7 të tjerë.

Pasi përfundoi telefonatën me Martinoviç, me armë gjahu në dorë, hyri në shtëpinë e fqinjëve të tjerë duke vrarë të moshuarit Danijela dhe Dimitrije Dreçun dhe plagosi rëndë nipin e tyre Aleksandar Dreçun. Më pas vrau dhe djalin e tyre Rajko Dreçun, i cili vrapoi menjëherë drejt shtëpisë kur dëgjoi të shtënat.

Masakra nuk përfundoi këtu. 34-vjeçari vrau edhe fqinjin Milan Mitroviç dhe dajën e tij Goran Gjurishiç dhe më pas, duke zbritur në rrugë, nuk ndali të shtënat dhe qëlloi për vdekje fqinjët Aleksandra dhe Danijela Radunoviç.

Përveç nënës që ishte qiramarrëse në shtëpinë e tij, plagosi edhe katër persona të tjerë dhe policin Ljubisha Maksimoviq , i cili po përpiqej ta nënshtronte. Ndonëse ishte i rrethuar nga policia, autori nuk pranonte të dorëzohej.

Sipas mediave malazeze, ndërhyri një prej fqinjëve dhe e qëlloi për vdekje. Trupi i 34-vjeçarit është dërguar për autopsi ndërsa nuk dihet ende përse kreu masakrën pasditen e së premtes. syri.net

blank

Dy fjalë për anonimët që fshihen pas artikujve në vetën e parë! – Nga Akil Pano

Pjesëmarrja dhe fjala ime mes disa intelektualëve, në tryezën e ftuar nga Dr. Berisha mbi temën e familjes, duket se ka shqetësuar disa media, të majta në Shqipëri.

Nuk e kuptoj arsyen e ‘shqetësimit’, pasi “Familja në rrezik” duhet të na shqetësojë mjaftueshëm për t’u mbledhur, e jo për të qenë të ndarë, për të folur e jo heshtur, për t’u angazhuar e jo për të qenë indiferent.

E kuptoj arsyen e ‘shqetësimit’, pasi “Familja në rrezik,” si tryezë diskutimi dhe propozimesh u organizua nga Dr. Berisha dhe Partia Demokratike. Kjo është tema e jetës, që sjell sëbashku të madh e të vogël, të majtë e të djathtë. Nëse nuk e keni ndjekur bisedën dhe propozimet e kësaj tryeze, ju ftoj ta bëni.

E dua Dr. Berishën. Mbase duhet ta doni dhe ju, pasi nëse në këtë jetë s’doni askënd veç vetes dhe rrethit tuaj të ngushtë familjar, kjo s’përbën ndonjë meritë, a vlerë që ju dallon nga të tjerët.

Pikërisht këtë tha Jezusi i Nazaretit:

“Por po t’i doni ata që ju duan, ç’meritë do të keni nga kjo? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan.” Luka 6:32

I dua shumë dhe komunistët, socialistët, globalistët, etj; por nuk dua ideologjinë e tyre. Ideologji që ka vrarë më shumë njerëz në shekullin e fundit, se çdo luftë e njeriut apo e natyrës në çdo shekull tjetër.

Problem kam të dua ‘anonimët’ dhe ata që fshihen pas pseudonimeve në artikujt e tyre, pasi sillen sikur të ishin dikush tjetër;
pasi janë entitete pa fytyrë, pa karakter, pa adresë, pa përgjegjësi, pa moral. Qenie me dy a më shumë emra, identitete, funksione, të cilët sot janë në shërbim të pushtetit, e nesër do te nxitojnë të ofrojnë aftësitë e tyre tyre në kërkim te padronit tjetër.

Metoda tipike komuniste. Më kujtojnë sterotipin e ‘spiunëve’ që në komunizëm s’jetonin përmes punës së ndershme, por kishin shndërruar në mënyrë jetese spiunllëkun, përbaltjen, intrigat, prapaskenat, hipokrizinë, anonimet, fletërrufetë etj.

Nuk kam si t’i dua, jo përshkak të antivlerave që i karakterizojnë, por përshkak se këto entitete janë anonimë-jorealë. Një botë fantazmash të cilën refuzoj dhe ta mendoj.

E kam ndërtuar jetën mbi vlera të cilat jo kushdo i kupton, i beson, a praktikon. Ky themel besimi, më shtyn të ecë në shtegun e ngushtë të dashurisë. Dashuria e Zotit, më shtrëngon dhe motivon të dua të gjithë njerëzit.

Ka kaq shumë urrejtje në këtë vend. Urrejtje nga të gjithë, për të gjithë. Urrejtje me përmbajtje etnike, krahinore, rracore, sociale, klanore.

Kjo e fundit është në rritje. Në cilin kamp politik bën pjesë? Cili është lideri që ndjek?

Por ka dhe urrejtje brenda llojit. Më e rrafinuara ndër nënndarjet e urrejtjes, maskohet me buzëqeshje, dhurata, elozhe.

Urrejtje për udhëheqësit politikë.

Urrejtje për liderin, cilido qoftë ai, me sjelljen ‘Pse të jetë ai!? Çfarë ka ai më shumë?’

Urrejtje për të kamurin, me qëndrimin; ‘Pse ai ka dhe unë s’kam!?’

Urrejtje nga të gjithë, drejtuar te gjithëve. Jetojmë në një vend të helmuar nga urrejtja.

Por, problemi është se urrejtja s’mjafton. Urrejtja individuale e kolektive e familjes, klanit, grupit politik, social, etnik dhe urrejtja e çdo lloji a forme nuk mjafton për të ndërtuar shtetin dhe shëruar familjen Shqiptare që vuan.

Martin Luter Kingu në përpjekjet e tij për të trimëruar komunitetin që ai drejtoi në betejën për liri, u zbuloi atyre një udhë më të lartë se protestat që deri atëhere ishin konsideruar si e vetmja mënyrë për të fituar këto të drejta. Ai parashtroi dashurinë si platformë lirie dhe rezistencën paqësore si mjetin efikas për të fituar të drejtat e mohuara.

“Unë kam vendosur të qëndroj i lidhur me dashurinë. Urrejtja është një barrë tepër e madhe për ta mbajtur.”

Përgjigjja ime është dashuria.

Pak më shumë dashuri për njeriun, liderin, familjen dhe shtetin. Dashuri për Shqipërinë që lëngon. Dashuria për të cilën shkruaj, ecën krah me të vërtetën, integritetin, drejtësinë dhe dhembshurinë. Është e vetmja kurë që shëron dhe ndërton familjen dhe shtetin.

Miq progresistë (siç dhe ju pëlqejnë t’ju quajnë) më lejoni t’ju kujtoj çka jam i prirur të mendoj që e dini se, nuk ekziston progres më i madh në një shoqëri, se mirëqënia dhe progresi i familjes.

Nëse nuk bashkoheni me ne të mjekojmë e begatojmë familjen në Shqipëri, për arsye që ju mund t’i dini, të paktën mos e pengoni kauzën e shenjtë për familjen!

Çështja e familjes për ne, nuk është loja për pushtetin. Nëse do ta shihnim kështu, unë dhe ata që besojnë si unë, do të ishim ishim të kapur nga mediokriteti i një jete pafuqi, pa besim, pa ideal.

Çështja e familjes është beteja për jetën dhe kombin.

blank

Shaheen: Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor i kundërvihet ndikimit të Moskës

VOA/Rudina Dervishi, Milena Gjorgjievska

Një nga hartueset kryesore të projektligjit të paraqitur kohët e fundit në Kongresin amerikan për Ballkanin Perendimor, tha për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara po ripërtërijnë vëmendjen e tyre në rajon mes shqetësimeve se Rusia po përpiqet të përkeqësojë tensionet etnike dhe të nxis konfliktet. Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin mbi Sigurinë Rajonale tha se Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, si dhe të luftojë korrupsionin për t’ju kundërvënë aktiviteteve destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Senatorja Shaheen i bëri komentet në një intervistë për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës.

Senatorja Jeanne Shaheen tha se Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perendimor kërkon të kthejë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara në një rajon ku ndikimi rus ka një histori të gjatë dhe që Moska mund ta shoh si një objektiv të dytë pas agresionit në Ukrainë.

“Rusia ka interest të përpiqet të shtojë tensionet që tashmë ekzistojnë, të përpiqet të promovojë konflikte. Dhe ndërsa Rusia shqyrton të shoh se ku mund të shkojë pas Ukrainës sigurisht që Ballkani Perendimor është një nga vendet. // Nuk mund ta imagjinoj që dikush në botë, por veçanërisht në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor tek shikon atë që po ndodh në Ukrainë, të mendoj se do të donte që Rusia të ndërhynte dhe të bënte të njëjtën gjë në vendet e tyre”.

Ndërsa vendet e rajonit kanë bërë përparim në drejtim të qeverisjes demokratike, përçarjet politike dhe korrupsioni në rritje mbeten kërcënuese për proceset demokratike. Për të siguruar një qëndrueshmëri dhe përkushtim drejt aspiratave perëndimore, projektligji i ri dypartiak synon të forcojë tregtinë dhe investimet amerikane në Ballkanin Perendimor.

“Ky legjislacion e bën të qartë se një pjesë e rëndësishme për të siguruar prosperitetin ekonomik është nxitja e tregtisë, jo vetëm mes Shtetet e Bashkuara dhe rajonit apo Evropës dhe rajonin, por brenda rajonit, sepse partnerët tregtarë më të mëdhenj në vendet e Ballkanit Perëndimor janë fqinjët e tyre dhe ne duam të gjejmë mënyra se si mund ta inkurajojmë këtë tregti”, tha senatorja.

Zonja Shaheen tha se projekligji udhëzon Sekretarin e Shtetit të ofrojë ndihmë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor që kërkon të zhvillojë një strategji kombëtare kundër korrupsionit.

“Përballja me korrupsionin është një pjesë shumë e rëndësishme. Dhe ajo që bën ky legjislacion është fuqizimi i Sekretarit të Shtetit për të ofruar asistencë teknike për vendet që kërkojnë ndihmë në përballjen e sfidave të tyre me korrupsionin”.

Zonja Shaheen ishte në krye të një grupi senatorësh amerikanë që vizituan në muajin prill Kosovën, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Ajo tha se pa nga afër shqetësimet e banorëve, veçanërisht të të rinjve që kërkojnë një të ardhme më të mirë për vete dhe familjet e tyre.

“Nëse njerëzit janë me shpresë për të ardhmen nëse e dinë se ka mundësi dhe ka një rrugë përpara, atëherë ata do të jenë më pak të prirur t’i kushtojnë vëmendje atij lloj dezinformimi. Kjo është një nga pikat në projektligj që unë mendoj se është vërtet e rëndësishme.//Dhe mesazhi im për udhëheqësit në Ballkanin Perëndimor është të mendojnë për atë që duan qytetarët e tyre, të mendojnë për të ardhmen, çfarë është e mirë për vendin duke mos vazhduar të promovojnë një lloj konflikti që ka qenë kaq shkatërrues në të kaluarën për qytetarët e tyre”.

Senatorja Shaheen tha se e ardhmja e rajonit drejt Perëndimit dhe forcimi i qeverisjes demokratike është stimuli më i mirë për t’i mbajtur këto vende larg ndikimit rus dhe përpjekjeve të Moskës për të destabilizuar rajonin.

blank

Të vërtetat e krimeve të Erion Veliaj ndaj Tiranës! – Nga Tedi Blushi

Erion Veliaj, mbi të cilin bie e gjithë përgjegjësia e madhe për krimet që i ka bërë kryeqytetit, gënjen në stilin e tij të zakonshëm ordiner, sikur Partia e Lirisë gjoja paska krahasuar Tiranën me Kabulin.

Partia e Lirisë krahasimin e ka bërë me Prishtinën, as me Kabulin dhe as me Kopenhagenin.

Qytetarët e Tiranës dhe qytetarët e Prishtinës dallohen sepse:

Çmimet e konsumit në Tiranë janë 47.93% më të larta se sa në Prishtinë.

Çmimet e ushqimeve në Tiranë janë 33.84% më të larta se sa në Prishtinë.

Çmimet e qerasë së banimit për qytetarët në Tiranë janë 38.29 % më të larta se sa në Prishtinë.

Çmimet e restoranteve në Tiranë janë 48.95% më të larta se sa në Prishtinë.

Ku qëndron diferenca e madhe mes Tiranës dhe Prishtinës?

Tirana ka kryebashkiakun e inceneratorëve, të betonizimit dhe kullave që nuk kanë kursyer as objektet e kultit, të shembjes së Teatrit Kombëtar, të korrupsionit (shet me lekë edhe varret e të vdekurve), të pastrimit të parave, të gjobave abuzive, të çmimeve dhe taksave të larta, të shkatërruesit pa ligj të shtëpive të qytetarëve. Ndërsa Prishtina ka një kryebashkiak të përgjegjshëm dhe patriot.

Me një kryetar Bashkie si Erion Veliaj dhe vetëm për shkak të tij, Tirana ka gjithashtu treguesit më negativë në çdo aspekt të jetesës. Dhe meqë bën sikur harron, as Partia e Lirisë dhe as qytetarët nuk harrojnë dhe nuk do ta falin që Tirana në drejtimin e tij, sipas NUMBEO, renditet e fundit në Europë për:

1. Indeksin e fuqisë blerëse. ( Tirana është në vendin e 207, ndër qytetet më të shtrenjta në Europë për të blerë një shtëpi në raport me të ardhurat)

2. Indeksin e ndotjes (Tirana është në vendin e 243, më e ndotura në Europë dhe ndër të fundit në botë nga 255 qytete gjithsej).

3. Indeksin e kostos së jetesës.

4. Indeksin e sigurisë.

5. Indeksin e Kujdesit Shëndetësor

6. Indeksin e kohës së qëndrimit në trafik.

Ndërkohë që rrugët e Tiranës u përmbytën edhe nga shiu i verës që sapo ra tani, vemja e Bashkisë nuk ka ndonjë fjalë për të thënë.


Send this to a friend