VOAL

VOAL

Gruevski dhe qëllimi i Kryqit të tij Nga Denis Toto

March 27, 2016

Komentet

Pika e përbashkët kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës pritet të fillojë prej 1 marsit

Drejtori i Doganës së Maqedonisë së Veriut, Boban Nikollovski, në një intervistë ka paralajmëruar që pika e përbashkët kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut pritet të fillojë prej 1 marsit të këtij viti.

Në fillim të muajit shkurt, nga Sektori për marrëdhënie me publikun i Ministrisë për Punë të Brendshme për Portalb kishin konfirmuar se nga muaji marsi i këtij viti do të fillojë zbatimi “OneStop” në pikën kufitare Bllacë – Hani i Elezit dhe Jazhincë – Glloboçicë.

“Lehtësime për tregtinë, përmirësim i konkurrencës së kompanive, ulje e kohës së pritjes në pikat kufitare dhe
siguri më e madhe në pikat kufitare dhe ulje e korrupsionit”
,- tha Nikollovski, duke theksuar se 95 % e punës është kryer nga Dogana e RMV-së.

Pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut së fundmi janë ballafaquar me kolona të gjata nga të dy anët e kufirit.

Punimet për finalizimin e procesit të krijimit të pikave të përbashkëta kufitare filluan në qershor të vitit të kaluar (2024) sn

Intervista- Kasami: Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, në duar të sigurta me koalicionin “Vlen” në qeverisje

Keida Kostreci

Kryetari i Lëvizjes Besa të koalicionit “Vlen” në Maqedoninë e Veriut, Bilall Kasami hodhi poshtë kritikat e opozitës shqiptare në vend se nuk po bën sa ç’duhet për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, duke thënë se tani këto të drejta janë në duar të sigurta dhe se ato kanë ngecur mbrapa ndër vite për shkak të BDI-së. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Kasami tha se si koalicioni “Vlen” edhe VMRO-DPNE, duan që të plotësojnë kushtet për avancimin e vendit drejt BE-së por shprehu shqetësimin se nëse Bullgaria vazhdon të paraqesë kërkesa të tjera, kjo do të pengonte për aspiratat e vendit. Zoti Kasami që është edhe kryetar i Komunës së Tetovës, tha se po bën gjithçka për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Opozita shqiptare akuzon partitë e pushtetit, në veçanti koalicionin ‘Vlen’ me parti shqiptare se nuk ka bërë sa ç’duhet për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Si përgjigjeni juve?

Bilall Kasami: Një parti që për 20 vite ka qëndruar në qeveri dhe nuk lëvizi përpara çështjen shqiptare, sigurisht nuk ka të drejtë të akuzojë partitë që sapo kanë ardhur në qeveri dhe po bëjnë shumë veprime, të cilat po e përmirësojnë atë që BDI me partnerët e saj nuk e realizoi për 20 vite. Tani më ata nga ajo periudhë e qeverisjes së tyre më shumë e kanë hallin e tyre dhe të njerëzve të tyre, të cilët janë në ‘listën e zezë’ të Amerikës, sesa fatin e shqiptarëve, sepse kanë pasur kohë 20 vite për të sistematizuar të drejtat e shqiptarëve në kushtetutë dhe në ligj dhe atë nuk e bënë, sepse për 20 vite punuan që të pasurohen; që familjarët e tyre t’i bëjnë milionërë. Prandaj, ne vlerësojmë se të drejtat e shqiptarëve tanimë janë në duar të sigurta dhe çështja shqiptare në Maqedoni të Veriut do të ecë përpara.

Zëri i Amerikës: Këto kritika mbështeten edhe në fakte konkrete si për shembull fakti që u shfuqizua mekanizmi i njohur si “balancues” ndërsa nuk ka një zgjidhje si zëvendësim; që Gjykata Kushtetuese pritet të rishikojë nene të Ligjit për gjuhët…

Bilall Kasami: Të gjitha janë pasojë e një qeverisjeje të gabuar të BDI-së për 20 vite. Balancuesi ka qenë një mekanizëm anti-ligjor dhe në momente të caktuara vetë BDI e ka konstatuar si një mekanizëm të tejkaluar. Vetë ministrat e saj që kanë qenë në qeveri kanë dhënë pëlqim që të zëvendësohet ky mekanizëm. Në anën tjetër, ne si koalicion “Vlen” jemi zotuar në zgjedhjet e fundit që këtë mekanizëm do ta zëvendësojmë me një ligj të veçantë dhe tanimë është në përpunim e sipër dhe së shpejti do të dalë versioni i parë i propozimit të ligjit për përfaqësim adekuat, që është një normë kushtetuese dhe le që nuk degradon, por garantojmë që kjo çështje do të mbyllet një herë e përgjithmonë me ligj dhe punësimi i shqiptarëve do të jetë i garantuar konform kushtetutës. Sa i përket Ligjit për gjuhën shqipe garantojmë se nuk do të ketë degardim të të drejtave të shqiptarëve, sa i takon përdorimit të gjuhës shqipe edhepse ne vlerësojmë se me këtë ligj nuk është zyrtarizuar plotësisht gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut. Duhet shumë ligje të tjera të harmonizohen me Ligjin për gjuhën shqipe, që gjuha shqipe të jetë në përdorim zyrtar në shumë institucione: gjykata, noterë dhe shërbimet tjera të administratës, të cilat nuk e përdorin gjuhën shqipe, edhepse në Ligjin për përdorimin e gjuhëve është e përcaktuar që gjuha shqipe të jetë gjuhë e dytë zyrtare edhe në këto institucione.

Zëri i Amerikës: A jeni ju si koalicion i partive shqiptare në një vijë me VMRO-DPMNE-në, e cila herë kërkon një lloj reciprociteti me Bullgarinë, përsa i takon të drejtave të pakicave dhe herë të tjera ngul këmbë që ndryshimet kushtetuese të zbatohen atëherë kur Maqedonia e Veriut të pranohet si anëtare e Bashkimit Evropian?

Bilall Kasami: Problemi me Bullgarinë është pak më kompleks, për shkak të kontestimeve identitare të Bullgarisë ndaj popullit maqedonas. Këtu çështja është nëse kjo është kërkesa e fundit e Bullgarisë, prandaj qeveria aktuale, më konkretisht VMRO-DPMNE kërkon një partner me të cilin do të bashkëbisedojmë për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Nëse kemi një partner të fuqishëm me të cilin bisedojmë se cilat janë hapat drejt integrimit të plotë në BE ne vlerësojmë që ndryshimi i kushtetutës dhe futja e komunitetit bullgar në kushtetutë është çështje e pranueshme dhe e kryer. Por, nëse kjo është një hap dhe vazhdon Bullgaria me kërkesa, me hapjen e problemeve të tjera për të cilat ne e dimë që mund të hapen, atëherë kjo nënkupton që edhe pse do të bëhet ndryshimi i kushtetutës me futjen e bullgarëve në të, nuk do të zgjidhet problemi dhe nuk do të avancojë vendi drejt BE-së.

Zëri i Amerikës: Si do të reagonit ju në një skenar të tillë?

Bilall Kasami: Ne kërkojmë gjithashtu që të kemi një partner të fuqishëm edhe në Bruskel edhe në Sofje për të bashkëbiseduar për të ardhmen evropiane të Maqedonisë. As për VMRO-në e as për koalicionin ‘Vlen’ nuk është e diskutueshme çështja se Maqedonia duhet të jetë sa më parë anëtare e BE-së. Ne po flasim për pengesa që na dalin rrugës. Dhe ne kërkojmë që sa më shpejtë të kemi një partner me të cilin të largojmë të gjitha këto pengesa. Sigurisht që qeveria është e interesuar dhe është proaktive në këtë drejtim për gjetjen e një zgjidhjeje me të cilën Maqedonia do t’i bashkohet shumë shpejtë Shqipërisë dhe besojmë që në vitin 2030 të jemi bashkë anëtare në BE.

Zëri i Amerikës: Ndonëse është herët për zgjedhjet lokale, a keni pasur bisedime me VMRO-në nëse do të dilni bashkë në këto zgjedhje ose jo?

Bilall Kasami: Ne jemi pjesë e koalicionit qeveritar dhe në të kaluarën kemi pasur komunikim dhe bashkëpunim si parti opozitare dhe tani kemi bashkëpunim në kuadër të qeverisë. Zgjedhjet lokale janë pak më specifike, sepse nuk mund të flasim për një bashkëpunim formal me VMRO-në, sepse kemi komuna ku konkurrojmë me VMRO-në. Kemi komuna, siç është Kërçova, Bërvenica ku beteja do të bëhet për një kryetar shqiptar apo maqedonas. Këtu e kemi më të vështirë për të bashkëpunuar, por kemi komuna si Tetova, Çairi, Gostivari ku dihet se fituesi del shqiptar dhe komuniteti maqedonas është pakicë, dhe aty edhe në të kaluarën maqedonasit kanë përkrahur një kanadidat shqiptar. Sa i përket listave për anëtarë të Këshillave komunalë ne konkurrojmë veçmas dhe secila parti kërkon vota për listën e vetë për këshilltarë )komunalë). Kështu që, nuk mund të themi se do të kemi një koalicion, por sigurisht si parti të qeverisë do të kemi bashkëpunim.

Zëri i Amerikës: Çfarë po ndodh me projektin e rrugës Pizren – Tetovë? A ka gatishmëri të plotë tek pala maqedonase për realizimin e punimeve?

Bilall Kasami: Studimi i fizibilitetit për rrugën Tetovë – Prizren është që nga viti 2010. BDI-ja nuk e lëvizi këtë projekt për 15 vjet dhe u desht që unë të vij në krye të komunës së Tetovës dhe t’i ‘povokoj’ me atë që unë ndërtova një rrugë 7 kilometra deri afër kufit me Kosovën dhe bashkë me kryeministrin (Albin) Kurti të promovojmë këtë si një alternativë të rrugës Tetovë – Prizren, në mënyrë që pastaj qeveria e BDI-së të aktivizohet dhe të bëjë disa marrëveshje e veprime. Sot ky projekt është me prioritet edhe për qeverinë e Maqedonisë edhe për atë të Kosovë. Veçmë është formuar grupi i punës për shpalljen e tenderit për projektimin e tunelit, që është pjesa më e rëndësishme dhe kryesore e gjithë këtij projekti. Kosova ka nisur punimet në aksin që do të vijë deri te hyrja e tunelit. Në Maqedoni nga Tetova deri në hyrje të tunelit veçmë ekziston traseja. Ne duhet të bëjmë zgjerimin e rrugës, kështu që tani më kjo rrugë është në projekt të qeverisë dhe jo vetëm një premtim i harruar i qeverisë paraprake.

Zëri i Amerikës: Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori së fundmi një kredi prej 500 milionë eurosh nga Hungaria. A është caktuar shuma që do të përfitojë Komuna e Tetovës nga kjo kredi?

Bilall Kasami: Patjetër. Është një ndër projektet më të rëndësishme të kësaj qeverie apo atyre të kaluara, duke pasur parasysh faktin që pushteti lokal nuk është i prërkrahur në Maqedoninë e Veriut. Të gjitha shpenzimet janë për pagat dhe shpenzime të përditshme. Nuk kas pasur shumë mundësi zhvillimore. Për herë të parë komunat kanë buriume të sigurta të financimit të projekteve kapitale. Komuna Tetovës më 2024 ka marrë rreth 4 milion euro, me çka janë projektuar dhe do të ndërtohen rrugë, shkolla dhe projekte të rëndësishme të infrastukturës së qytetit. Më 2025 komuna e Tetovës pret të realizojë projekte mbi 11 milionë euro nga këto mjete të qeverisë. Pra, është një ndër projektet që unë e përshëndes dhe besoj të vazhdoj edhe më tutje.

Zëri i Amerikës: Propozimi juaj për emërtimin apo riemërtimin e rrugëve në komunën e Tetovës ka ngjallur debate. A do të bëhet kjo gjë me konsensus?

Bilall Kasami: Ne kemi hyrë guximshëm në ndërtimin e Tetovës, jo vetëm në infrastrukturë por edhe në modernizimn e saj. Tetova ka qenë ndër qytetet e rralla që vetëm rreth 30 përqind të pjesës urbane i ka pasur me rrugë zyrtare (adresa); pjesa tjetër ka qenë me numra e pa numra dhe në një kaos të vërtetë. Sot më njoftuan nga komuna se Komisioni për emërtimin e rrugëve ka mbajtur mbledhje dhe është shpallur thirrja publike që qytetarët të mund të bëjnë propozime nga dita e hënë. Ë shtë një proces gjithpërfshirës; për të gjitha partitë, si shqptare e maqedonase dhe për qytetarët dhe besoj që në fund të këtij procesi Tetova dhe çdo tetovar do të ketë rrugë me emër dhe me numër të shtëpisë dhe të vendbanimit të tyre.

Mickoski kërkon ndryshime në Këshillin Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut

Enis Shaqiri

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi të enjten se deputetët e partisë së tij, VMRO-DPMNE, do të paraqesin një mocion në Kuvend për shkarkimin e një pjese të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të cilin e quajti “bastion korrupsioni dhe padrejtësie”.

Mickoski theksoi në një postim në rrjetin social Facebook se “shteti dhe qytetarët kanë nevojë për drejtësi, dhe Maqedonia [e Veriut] duhet të luftojë kundër kënetës së saj të korruptuar”.

Ai tha më vonë për gazetarë se “goditja në ballë nënkupton që gjithçka që është nën kompetencat e Kuvendit, është emërimi i atyre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Atje ku zgjidhen të votohet edhe mocioni i mosbesimit”.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, i befasuar nga synimi i kryeministrit, tha se shpreson se Kuvendi dhe Qeveria do të punojnë sipas Kushtetutës.

“Për herë të parë e dëgjova këtë nga ju. Deri tani ishim në seancë. Kam dhënë deklarata, për sa i përket shkarkimit të Këshillit Gjyqësor, vendi i vetëm ku është parashikuar është në Ligjin për Këshillin Gjyqësor. Iniciativat mund të dorëzohen në Kuvend, çdokush mund të dorëzojë iniciativa”, tha Kambovski.

Kambovski, në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë më 28 janar, kishte theksuar se, sipas Ligjit për Këshillin Gjyqësor, vetëm ky këshill mund t’i shkarkojë anëtarët e tij.

“Nuk kam hasur në ligje të tjera që parashikojnë një mundësi të tillë për shkarkimin në një procedurë tjetër”, tha Kambovski.

Iniciativa e VMRO-DPMNE-së ka të bëjë me pesë anëtarët që zgjidhen nga Kuvendi.

“Ne nuk mund të bëjmë një shpërbërje të plotë, as të zbulojmë anomalitë në një kohë kaq të shkurtër, por mund të zgjedhim një Këshill Gjyqësor që objektivisht, pa kushtëzime partiake, do të mund ta sqarojë këtë moçal politik dhe të jetë një lloj monitoruesi se si sillen gjyqtarët, çfarë vendimesh marrin dhe pse”, tha Mickoski.

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut përbëhet nga 15 anëtarë.

Përzgjedhja e tyre bëhet në disa mënyra: tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi me shumicë votash, dy të tjerë propozohen nga presidenti i shtetit dhe miratohen nga Kuvendi, ku njëri duhet të jetë përfaqësues i komuniteteve më të vogla etnike, dhe tetë të tjerë zgjidhen nga gjykatësit në zgjedhje të drejtpërdrejta.

Ndërkaq, dy anëtarët e tjerë, kryetari i Gjykatës së Lartë dhe ministri i Drejtësisë, mund të marrin pjesë në seanca, por nuk kanë të drejtë vote.

Shpërndarja e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik ishin pjesë e premtimeve parazgjedhore të kreut të VMRO-DPMNE-së, Mickoski, i cili e mori udhëheqjen e Qeverisë në maj të vitit të kaluar.

Ndaj iniciativës së Mickoskit ka reaguar edhe opozita maqedonase.

Kreu i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM) në opozitë, Venko Filipçe, tha se partia e tij pajtohet me reformat në gjyqësor, por jo, siç tha, përmes veprimeve arbitrare.

“Por, reforma që do të nënkuptojnë një gjyqësor të pavarur, efikas, që do të sigurojë drejtësi. Nuk duhet të lejojmë që drejtësia që kërkohet qytetarët të shndërrohet në një partizim të ri, dhe një pushtim nëpërmjet ndryshimit të Këshillit Gjyqësor nga Qeveria”, theksoi ai.

LSDM kërkon që hapat e ardhshme në sistemin e drejtësisë të bëhen me konsensus të të gjitha partive politike në Kuvend. REL

Shkup: Qytetarët kërkojnë drejtësi për viktimat e aksidenteve rrugore

Qindra njerëz mblidhen në bulevardin “Aradhet Partizane” në Shkup për të protestuar pasi një vajzë 22-vjeçare u godit për vdekje nga një veturë në një vendkalim këmbësorësh në kryeqytet, më 29 janar.

 

Enis Shaqiri

Qindra njerëz kanë protestuar të premten pasdite në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar drejtësi për viktimat e aksidenteve rrugore, dënime më të ashpra për shkaktarë, si dhe rishikimin e vendimeve gjyqësore.

Protesta, në bulevardin “Aradhet Partizane” në Shkup, vjen pasi një vajzë 22-vjeçare u godit për vdekje nga një veturë në një vendkalim këmbësorësh në kryeqytet, më 29 janar.

Disa prej protestuesve mbajtën pankarta me mbishkrime si: “Nuk është aksident, është vrasje”, “Prokurorët = bashkëpunëtorë vrasës”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha se përgjegjësia duhet të bjerë mbi të gjithë ata që janë pjesë e sistemit.

“Zemërimi është i kuptueshëm, mosbesimi në institucione është i justifikuar, por kjo nuk duhet të përfundojë vetëm me shkrimin e statuseve të zemëruara në rrjetet sociale dhe me protesta që do të zgjasin disa ditë. Të gjithë në sistem duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre”, tha Toshkovski.

Frosina Kalukova, nga fshati Negotinë, komunë e Vrapçishtit, e humbi jetën pasi u godit nga një veturë e drejtuar nga një 20-vjeçar me inicialet V.J.

Sipas Prokurorisë Publike, i riu nuk kishte patentë shofer, ishte nën ndikimin e alkoolit, tejkaloi shpejtësinë e lejuar dhe kaloi semaforin me dritë të kuqe.

Protesta pas një aksidenti trafiku në bulevardin “Aradhet Partizane” në Shkup, më 31 janar 2025, ku u përplas 22-vjeçarja Frosina Kulakova.

Protesta pas një aksidenti trafiku në bulevardin “Aradhet Partizane” në Shkup, më 31 janar 2025, ku u përplas 22-vjeçarja Frosina Kulakova.

Prokuroria ka kërkuar paraburgim prej një muaji për 20-vjeçarin.

“I dyshuari 20-vjeçar, si pjesëmarrës në trafikun e rrugëve publike, ka drejtuar një automjet të tipit ‘Peugeot 207’ në pronësi të babait të tij në korsinë e djathtë të bulevardit. Automjetin e drejtonte pa patentë shofer dhe nën ndikimin e alkoolit me 0,82 promilë prani të alkoolit në urinë, duke rrezikuar jetën e njerëzve”, tha Prokuroria më 30 janar.

Komiteti i Helsinkit reagoi duke theksuar se fenomeni i mosndëshkimit, i rrënjosur prej dekadash në shoqëri, solli edhe një tragjedi tjetër ku humbi jetën një 22-vjeçare.

“Një rrëshqitje e tillë në sistemin ligjor tregon qartë mosmarrjen e masave të duhura nga ana e institucioneve për të parandaluar kryerjen e mëtejshme të veprave penale në trafik”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

Aksidenti i trafikut në të cilin humbi jetën Frosina Kulakova nuk është i pari që shkakton reagime dhe zemërim te qytetarët. Vetëm në të njëjtin bulevard të Shkupit kanë humbur jetën disa të rinjve vitet e fundit.

Në vitin 2015, studentja Frosina Cekovska u përplas për vdekje nga një shofer 26-vjeçar, i cili po ashtu ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drejtonte veturën me shpjetësi më të lartë seç lejohej.

Në të njëjtin bulevard, por në afërsi të qendrës tregtare City Mall, në janar të vitit 2022 u përplas për vdekje 24-vjeçarja Viktorija Nikolova. Shoferi 22-vjeçar, sipas Prokurorisë, në kohën e incidentit drejtonte automjetin me shpejtësi më të madhe se norma e lejuar.

V.J. kishte shkaktuar edhe një tjetër aksident trafiku

Megjithatë, revolta e qytetarëve u drejtua ndaj institucioneve kompetente, pasi personi i dyshuar për aksidentin kishte qenë më herët edhe në paraburgim, si dhe në shtëpi korrektuese, në Tetovë, për një tjetër vepër – prodhimin dhe shpërndarjen e drogave narkotike.

Ndaj tij Prokuroria kishte ngritur edhe një tjetër kallëzim penal më 2 shkurt të vitit 2023, për një aksident trafiku, në të cilin një person kishte pësuar lëndime të lehta.

Prokurori publik kishte zhvilluar procedurën dhe me pëlqimin e të dëmtuarës kishte marrë një vendim për mosndjekje penale, duke pranuar të paguante një shumë prej 292 eurosh në favor të buxhetit të shtetit.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se së shpejti do të vihet në funksion sistemi “Qyteti i Sigurt”, përmes të cilit institucionet do të mund të sanksionojnë vandalizmin automobilistik në rrugët e Shkupit.

“Ministria e Punëve të Brendshme po e zbaton këtë si procedurë, dhe së shpejti do të kemi një sistem të tillë që do të sanksionojë këtë lloj vandalizmi. Dhe kjo duhet të ndodhë. Sa herë që të marrim plumba politikë, ne duhet ta instalojmë, ta zbatojmë dhe të marrim një politikë ndëshkuese që do të jetë rigoroze, sepse edhe nëse shpëtojmë një jetë, kemi arritur qëllimin”, deklaroi Mickoski më 31 janar.

Në anën tjetër, Lidhja Socialdemokrate (LSDM) në opozitë kërkoi dënim maksimal për autorin dhe mbështeti revoltën e qytetarëve.

“Ne mbështesim kërkesat e qytetarëve për drejtësi dhe siguri më të madhe. Në shenjë solidariteti, Rinia Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) do t’i bashkohet protestës. Është koha për përgjegjësi”, thuhet në deklaratën e LSDM.

Mickoski kërkoi që të mos politizohet rasti.

Radio Evropa e Lirë

Fetai: Statusi zyrtar i gjuhë shqipe i fituar me gjak por i degraduar nga BDI

Zëvendëskryeministri Arben Fetai lidhur me debatin që po vazhdon disa ditë mes pozitës dhe opozitës lidhur me statusin e gjuhës shqipe, një profilin e tij në Facebook ka reaguar duke përmendur faktin se statusi zyrtar i gjuhës shqipe e ka bazën në sakrificën dhe gjakun e derdhur në Konfliktin e vitit 2001 por që sipas tij është degraduar nga BDI.

Ai përmend nenin 3 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve që lejon të vetmin komunikim zyrtar në gjuhën maqedonase nëse udhëheqësi i institucionit ose zëvendësi i tij nuk janë shqiptar. Fetai me këtë rast etiketon BDI-në si fajtorin kryesore që siç thotë ai ky nen vendos përdorimin parcial të gjuhës shqipe.

Më poshtë postimi i plotë i Zëvendëskryeministrit Fetai:

“Ata që kanë degraduar statusin e gjuhës shqipe nuk kanë të drejtë morale të flasin për të.

Statusi zyrtar i gjuhës shqipe, i fituar me sakrificë dhe gjak, është degraduar nga DUI përmes lëshimeve të dëmshme dhe kompromiseve të njëpasnjëshme. Këto veprime e kanë releguar shqipen në një gjuhë lokale, të përdorur sipas dëshirës së zyrtarëve shtetërorë.

Kjo dëshmohet më së miri nga neni 3 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ky nen, që rregullon komunikimin zyrtar, jo vetëm që e etablon primatin e maqedonishtes, por edhe e kufizon shqipen në një gjuhë lokale. Për më tepër, neni 3 lejon komunikim zyrtar ekskluzivisht në maqedonisht nëse udhëheqësi i institucionit ose zëvendësi i tij nuk janë shqiptarë. Pra, ky nen jo vetëm që vendos përdorim parcial të shqipes në rrafshin gjeografik, por ai madje e përjashton plotësisht shqipen aty ku nuk ka udhëheqës shqiptar.

Kjo është fytyra e vërtetë e DUI-t: në pushtet, shërbëtorë të bindur të partive maqedonase që bëjnë pazare në kurriz të shqiptarëve; në opozitë, patriotë sezonal.

Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se edhe “patriotizmi” i tyre opozitar nuk është gjë tjetër veçse një defokusim nga krimi dhe korrupsioni që është u ka dal në shesh. Sot, të gjithë e dinë se halli i vetëm i DUI-t është frika nga drejtësisa. sn

Presidentja e RMV-së nuk e nënshkruan Dekretin që licencat për çerdhet të jenë edhe në gjuhën shqipe

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, nuk e nënshkruan Dekretin i cili parashikon që licencat në çerdhet të jenë në dy gjuhë për mos nënshkrimin e Dekretit kanë konfirmuar edhe dy partit më të mëdha opozitare BDI dhe LSDM.

Nga BDI thonë se është sulm i i koordinuar ndaj gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon me ashpërsi veton skandaloze të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova ndaj dygjuhësisë. Ky është një sulm i hapur ndaj gjuhës shqipe dhe një përpjekje për të minuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut!

Por ky nuk është një veprim i izoluar, por një strategji qartësisht e koordinuar. Fillimisht, lideri i vlen-it, Afrim Gashi, doli me një deklaratë për të përgatitur opinionin kundër gjuhës shqipe dhe për të krijuar një alibi për këtë lëvizje, e menjëherë pas kësaj, nacionalizmi i tërbuar antishqiptar u aktivizuan për të mohuar dhe sulmuar gjithçka shqiptare. Ky është një agresion kundër shqiptarëve ku VLEN po merr me vetëdije rolin e bashkëpunëtorit.

Kjo nuk është vetëm një goditje ndaj gjuhës – është një përpjekje për të kthyer pas shqiptarët, për të çmontuar të gjitha të drejtat e fituara me mund. Qeveria e drejtuar nga VMRO-DPMNE, me përkrahjen e VLEN-it, po tregon se nuk ka asnjë interes për bashkëjetesë, por po ndjek një agjendë revanshiste, antishqiptare dhe të rrezikshme.

BDI ka një mesazh të qartë: Gjuha shqipe nuk është monedhë për pazare politike! Ajo është një e drejtë kushtetuese e patjetërsueshme, jo një instrument politik që kjo qeveri mund ta përdorë sipas interesave të saj!

U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve, të gjithë qytetarëve që besojnë në bashkëjetesë, botës akademike, shoqërisë civile dhe të gjitha forcave demokratike në vend që të mobilizohen dhe të mos e lejojmë këtë strategji të turpshme të realizohet. BDI nuk do të qëndrojë duarkryq! Do të përdorim të gjitha mekanizmat politikë dhe juridikë për të ndalur këtë çmenduri antishqiptare!

Presidentja dhe kjo qeveri duhet ta dinë një gjë: Shqiptarët nuk do të lejojnë të fshihen! Gjuha jonë është dinjiteti, identiteti dhe e ardhmja jonë – dhe ne do ta mbrojmë me çdo kusht!, thonë nga BDI.

Ndërkaq nga LSDM-ja nëpërmjet një komunikate lëshuar mediave kanë kërkuar që Qeveria të heq dorë plotësisht nga ndryshimet në Ligj, të cilat, sipas tyre, nuk janë kushtetuese dhe janë miratuar në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

“Ne e përshëndesim mosnënshkrimin e Dekretit nga ana e presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, me çka hapet kjo mundësi, dhe kërkojmë nga qeveria që të tërhiqet nga synimet për shkak të dispozitave të diskutueshme që përmban. Neni 9 dhe Neni 10 i Projektligjit për ndryshim, i propozuar nga Qeveria, nënkupton futjen e licencave dygjuhëshe në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Është kontestuese se ky segment rregullohet me një ligj tjetër që përcakton përdorimin e gjuhëve, por edhe me Kushtetutën e shtetit.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Shtetas maqedonas luftuan për ushtrinë mercenare ruse Wagner

Vladimir Kalinsky

Prokuroria publike në Maqedoninë e Veriut po heton dy shtetas maqedonas të cilët kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë dhe thuhet se kanë luftuar për grupe paraushtarake ruse kundër Ukrainës, nga të cilët njëri ishte anëtar i ushtrisë private Wagner.

Prokurorët po ndjekin penalisht shtetas maqedonas të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë.

Pjesëmarrja në konflikte të huaja përbën vepër penale në Maqedoninë e Veriut.

“Sa i përket dënimit të parashikuar për veprën penale ‘pjesëmarrje në ushtri të huaj’, ai mund të shkojë deri në katër vjet”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Publike për Radio Evropa e Lirë.

Deri më tani, Prokuroria dhe policia nuk japin detaje se sa persona nga vendi kanë shkuar për të luftuar në Ukrainë, e as nëse ekzistojnë organizatorë që rekrutojnë luftëtarë nga Maqedonia e Veriut.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në më pak se një muaj, ka publikuar njoftime për dy persona që kanë marrë pjesë në anën ruse në luftën në Ukrainë, dhe në to përmendet gjithashtu se një shtetas maqedonas ka vdekur në luftime.

I fundit është nga 23 dhjetori, ku thuhet se policia po ndjek penalisht shtetasit maqedonas për pjesëmarrje në ushtrinë ruse në konfliktin ushtarak në Ukrainë.

Bëhet fjalë për një burrë 37-vjeçar nga Shkupi (Lj.B.), i cili së bashku me të ndjerin (T.Sh.), përmes aplikacionit “Telegram”, kishin aplikuar për shërbim në ushtrinë ruse.

Sipas MPB-së, të dyshuarit kishin udhëtuar për në Rusi në shtator të këtij viti, ku kishin nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës Popullore të Donjeckut, [që Rusia e konsideron si pjesë të saj, por që nuk njihet nga asnjë shtet tjetër në botë], dhe ishin bashkuar me formacionet e tyre ushtarake dhe paraushtarake.

MPB: Rekrutues përmes internetit

Pas kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit (Lj.B.), policia gjeti dokumente, veshje taktike dhe sende të tjera që, sipas MPB-së, konfirmojnë përfshirjen e tij në konflikt. Dy të dyshuarve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Në rastin e parë, të publikuar më 30 nëntor, thuhet se një burrë 28-vjeçar (J.K.) ka udhëtuar në tetor në Moskë me qëllim që të bashkohet me ushtrinë ruse për një shpërblim prej 3.000 eurosh. Pas kthimit në vend, autoritetet maqedonase e arrestuan dhe ngritën aktakuzë kundër tij.

Sipas hetimeve (J.K.) kishte kontaktuar me një rekrutues përmes internetit dhe pas mbërritjes në Rusi iu kërkua të dorëzonte pasaportën e tij, pas çka, duhet të nënshkruante një marrëveshje dhe të dërgohej për trajnim për të luftuar në Ukrainë.

Institucionet nuk kanë përgjigje nëse këto janë raste të izoluara apo bëhet fjalë për rekrutime të organizuara të luftëtarëve nga vendi për të marrë pjesë në luftën në Ukrainë.

Nga MPB-ja shkurt u përgjigjën për Radion Evropa e Lirë se së bashku me Prokurorinë dhe shërbimet e tjera të sigurisë dhe inteligjencës po ndërmarrin veprime për t’i verifikuar informacionet për të gjithë personat të cilët dyshohet se janë pjesë e forcave paramilitare.

Rastet nuk pranoi t’i komentojë Koordinatori Kombëtar për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit, Pavle Trajanov, i cili tha se aktualisht, as ai nuk ka informacione të drejtpërdrejta nga MPB-ja lidhur me numrin e personave nga vendi që marrin pjesë në luftën në Ukrainë.

Vitet e kaluara ka pasur raste të pjesëmarrjes në ushtri të huaja, përfshirë luftën në Siri, për të cilën Komiteti Kombëtar për Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit ka njoftuar se mbi 140 qytetarë të Maqedonisë së Veriut [përjashtuar fëmijët] kanë udhëtuar ose kanë tentuar të udhëtojnë në Siri ose Irak për t’iu bashkuar grupeve terroriste.

Konflikti ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës ka nisur mbi një dekadë më parë, duke filluar nga aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014 dhe eskaloi në një pushtim të plotë rus kur dhjetëra mijëra ushtarë rusë kaluan kufirin ukrainas në shkurt të vitit 2022.

Deri tani nuk janë publikuar informacione nga shërbimet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrjen e shtetasve të saj në këtë luftë. Më shumë raste janë regjistruar në vende si Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Disa nga të kthyerit nga këto vende dëshmuan se kishin luftuar për njësi me emra të ndryshëm, përfshirë njësi si Volk, batalionin Sudoplatov, por edhe për grupin ushtarak privat rus Wagner që doli nga hija pasi mediat shtetërore ruse filluan ta lavdërojnë çdo ditë për sukseset e mercenarëve të saj në pushtimin e Ukrainës.

Wagner dhe Ballkani

Wagner është një ushtri mercenare private, e themeluar në vitin 2014 nga shtetasi rus Yevgeny Prigozhin, i cili ishte i afërt me Kremlinin dhe vdiq në gusht të vitit 2023 në një aksident ajror me avion privat që u rrëzua saktësisht dy muaj pasi njësia e tij organizoi një kryengritje kundër autoriteteve në Moskë. Prigozhin më parë ishte quajtur “kuzhinieri i Putinit” për shkak kontratave të shumta në atë sektor, që kompania e tij kishte me shtetin.

Mediat në Serbi kanë shkruar për lidhjet e Wagnerit me grupet e djathta në vend që mbështesnin politikën e Kremlinit. Në Beograd u pikturuan edhe murale në mbështetje të këtij grupi.

Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, mediumi rus, Russia Today Balkan publikoi një njoftim të Wagnerit për rekrutimin e vullnetarëve të mundshëm, por në atë periudhë nuk kishte informacione të konfirmuara nëse Wagner kishte rekrutuar luftëtarë të rinj nga Serbia.

Autoritetet në Serbi thanë se po hetonin rastet, ndërsa shqetësimet për përpjekjet e Wagnerit për të rekrutuar ushtarë në Serbi dhe në vende të tjera, i shprehu edhe Departamenti amerikan i Shtetit.

Lidhje kanë ekzistuar edhe në të kaluarën. Në marsin e vitit 2017 një shtetas serb u dënua me një vit burgim me kusht për pjesëmarrje në konflikt në Ukrainë, në anën e grupit Wagner. Ky ishte një ndër 32 vendimet që Serbia mori kundër luftëtarëve që luftuan në pjesët e pushtuara të Ukrainës.

Njësia Wagner përballet me akuza të mundshme për krime lufte në Ukrainë, Siri dhe shtete të tjera afrikane, dhe është nën sanksione të Bashkimit Evropian (BE) që nga dhjetori i vitit 2021 për shkelje të të drejtave të njeriut në konflikte të armatosura në mbarë botën. Ajo gjithashtu është në listën e zezë të SHBA-së që nga qershori 2017 për shkak të përfshirjes në konflikte, në lindje të Ukrainës.

Volk dhe rrjeti Redut

Në Serbi ka pasur raste ku serbët kanë luftuar për grupe të tjera ruse, siç ndodhi në qershor të vitit 2023, kur disa prej tyre u kthyen nga lufta në Ukrainë, pasi kishin luftuar për njësinë ruse Volk. Para kësaj, ata kishin qenë në trajnime të shkurtra në poligonet pranë Moskës.

Siç shkruante shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, rasti i këtij grupi është dëshmi e ekzistencës së një sistemi të fshehtë nëntokësor që siguron mbulesë ndërkombëtare për angazhimet nga Ballkani në front, dhe pjesëmarrjen në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Radio Evropa e Lirë pati arritur të intervistojë një nga luftëtarët nga Serbia, i cili ishte angazhuar si mercenar, pasi iu garantua anonimiteti. Dëshmia e tij dha një përshkrim të detajuar të përvojës së tij tetë-mujore gjatë viteve 2022-2023.

Dragani – identitet i njohur për REL-in – kaloi dy muaj në trajnim dhe gjashtë muaj të tjerë nën kontratë për të marrë pjesë në luftën në Ukrainë, dhe ju dha gazetarëve të REL-it dokumente dhe fotografi që mundësuan konfirmimin e historisë së tij.

Ai ishte me rekrutë të tjerë serbë për dy muaj trajnim në poligonin ushtarak Alabino, në perëndim të Moskës, ku komandonte një person që prezantohej si Dima dhe një tjetër, oficer i supozuar i GRU-së, që prezantohej si Oleg.

Dragani tha se kishte marrë 110.000 rubla (rreth 1.215 dollarë) në dorë për secilin nga dy muajt e trajnimit dhe rreth dyfishin e kësaj shume për secilin nga gjashtë muajt e luftës në Ukrainë.

Dragani vlerësonte se gjatë qëndrimit të tij në Alabino kanë qenë rreth rreth 25 serbë, dhe se supozohej të kishte serbë nga Serbia, por edhe nga Republika Sërpska e Bosnje-Hercegovinës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, madje edhe një serb nga Franca. Radio Evropa e Lirë atëherë nuk mundi ta konfirmonte këtë informacion në mënyrë të pavarur.

Dragani tha se “kishte nënshkruar një kontratë gjashtëmujore me një kompani private ushtarake në tendën e Dimës dhe Olegut”, megjithëse për Radion Evropa e Lirë nuk ofroi kopje të kontratës apo fotografi.

“Në kontratë mund të shihej se nuk kishte asnjë lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë, por se ishte kompania private ushtarake 000 Redut”, deklaroi ai për Radion Evropa e Lirë.

Departamentet hulumtuese të Radios Evropa e Lirë, Systema dhe Schemes, më parë konfirmuan se Rusia në atë kohë përdorte një kompani të quajtur PMC Redut për të rekrutuar dhe dërguar luftëtarë në Ukrainë.

Drejt luftës pas një trajnimi të shkurtër

Siç zbuloi Radio Evropa e Lirë, në tetor 2023 njësia Volk ishte një nga 20 formacionet që luftonin në Ukrainë nën emërtimin Redut.

Dragani pohoi se nuk kishte vërejtje për procesin dy-mujor të trajnimit luftarak, që, sipas tij, zhvillohej nga ora 9:00 deri në orën 17:00, gjashtë ditë në javë, dhe se pas dy muajve në Alabino, ai u përfshi në luftën në Ukrainë, në janar 2023.

Ai luftoi në betejat pranë Lisiçanskut në rajonin e Luhanskut dhe pranë Avdivkas në rajonin e Donjeckut.

Dragani gjithashtu tha se gjatë përvojës së tij tetë-mujore ka numëruar rreth 70 serbë të tjerë dhe shtoi se shumë prej tyre janë dërguar në beteja me shumë pak trajnim dhe krejtësisht të papërgatitur për luftë.

Pas gjashtë muajve në Ukrainë, në qershor 2023, siç tha ai, ishte i zhgënjyer nga ajo që kishte parë në ushtrinë ruse.

“Nga këndvështrimi im, ‘biznesi dhe korrupsioni lulëzojnë’ dhe ‘rusët, siç i imagjinojmë dhe i konsiderojmë ne serbët, ekzistojnë në një përqindje shumë të vogël’”, tha ai.

Para se të kthehej në Serbi, Dragani mori një certifikatë të rreme që pretendonte se kishte punuar në ndërtimtari. Atij i është dhënë një dokument që thoshte se kishte punuar për një kompani ndërtimi në Moskë për t’u mbrojtur në rast se autoritetet kufitare serbe dyshonin.

Batalioni Sudoplatov dhe njësia Sova

Luftëtarët nga Serbia u janë bashkuar forcave ruse në Ukrainë edhe përmes batalionit me emrin Sudoplatov.

Radio Evropa e Lirë (REL) zbuloi detaje për dy luftëtarë me emrat e koduar “Sava” dhe “Dunav” të cilët pretendojnë se kanë qenë pjesë e këtij grupi dhe se u janë bashkuar forcave ruse në Ukrainë.

Batalioni Sudoplatov është themeluar në shtator të vitit 2022 si një njësi vullnetare pro-ruse që operon në jug të Ukrainës, në territorin e Zaporizhias, i cili aktualisht është nën pushtimin rus.

Emri i batalionit vjen nga Pavel Sudoplatov, një ish-anëtar i shërbimeve të inteligjencës së Bashkimit Sovjetik (BRSS) gjatë sundimit të Stalinit, i cili mori pjesë në likuidimin e nacionalistëve ukrainas në fund të viteve 1930.

Ndër rastet në Bosnje dhe Hercegovinë për të cilat raportuan mediat ishte për njësinë Sova – njësi kjo që luftonte në anën ruse kundër forcave ukrainase në lindje të vendit.

Njësia pretendonte se ishte themeluar nga Aleksandar Velimiroviq nga Banja Luka, i cili më parë quhej Ljubisha Bozhiq. Ai në fund të vitit 2023 shkroi se njësia tashmë kishte njëqind ushtarë të trajnuar.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Enis Shaqiri

Janevska: Abetarja shqipe mund të përdoret- VLEN dhe BDI akuzojnë njëra – tjetrën për mashtrim

Ministrja e Arsimit edhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se Abetarja shqipe nuk është libër po material ndihmës dhe se nuk është pengesë për tu përdorur.

Koalicioni VLEN doli me një komunikatë  më të cilën akuzojnë BDI-në se shpifin dhe gënjejnë për çështjen e abetares.

Por i menjëhershëm ka qene reagimi BDI-së në të cilin thuhet se ata që gënjejnë janë nga VLEN.

Dje BDI reagoi ndaj koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE-VLEN pasi miratuan ndryshimet në ligjin e teksteve shkollore. Sipas BDI-së  me ndryshimet e Ligjit për tekstet shkollore u ndalua përfundimisht përdorimi i Abetares së unifikuar të gjuhës shqipe. sn

I konfiskohet pasaporta kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko

VOA Isak Ramadani

Kryetarit të Komunës së Strugës, në Maqedoninë e Veriut i është konfiskuar pasaporta. Kërkesa për këtë masë ndaj zotit Ramiz Merko u bë nga Prokuroria Themelore e Strugës dhe më pas u miratua nga gjykata.

Po ashtu zoti Merko është i detyruar të paraqitet një herë në javë në Gjykatë. Pokuroria tha se kërkoi këtë masë për shkak të rrezikut të arratisjes.

Ai akuzohet për vendosjen në muajin mars të këtij viti të një pllake përkujtimore në hyrje të godinës së komunës, që sipas organit të akuzës ka nxitur urrjetje dhe përçarje ndëretnike mes banorëve të Strugës.

Prokuroria e Strugës në një afat të shkurtër kohor ka ngritur edhe tetë padi ndaj zotit Merko, që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës.

Ramiz Merko është përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe për një kohë të gjatë është në krye të komunës së Strugës.

Departamenti Amerikan i Shtetit e përcaktoi atë në qershor të vitit të kaluar si të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm dhe e shpalli person të padëshirueshëm.

Departamenti i Shtetit theksonte se kryetari i komunës së Strugës ka përvetësuar fonde në mënyrë të paligjshme dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Njoftimin për masat kundër zotit Merko e kanë përshëndetur partitë shqiptare të koaicionit “Vlen”, që akuzojnë BDI-në për përfshirje në skandale korrupsioni. Vetë zoti Merko dhe BDI-ja nuk kanë reaguar ende.

Shkup: Partitë shqiptare vazhdojnë përplasjet rreth Ligjit për gjuhët

Partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar ndaj një deklarate të bërë nga kryeparlamentari Afrim Gashi, lidhur me gjuhën shqipe.

Gashi: Gjuha shqipe nuk është e barabartë me gjuhën maqedonase.

Enis Shaqiri

Deputetët e Frontit Evropian në opozitë, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kanë reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, i cili të enjten mbrëma tha se “gjuha maqedonase është gjuha e vetme zyrtare në Maqedoninë e Veriut”.

Në një konferencë shtypi përpara Kuvendit, koalicioni deklaroi se pohimi i Gashit “përbën një gënjeshtër të hapur dhe një tradhti të rëndë ndaj popullit shqiptar”.

“Është tronditëse, por jo e habitshme, që zoti Gashi si një person i përzgjedhur për të shërbyer si kukull në hierarkinë më të lartë të shtetit ka rënë kaq poshtë, duke arritur nivele vetëposhtrimi që as antishqiptarët më të zjarrtë nuk kanë guxuar t’i prekin. Ky akt i turpshëm nënshtrimi dhe tradhtie tregon mungesën e tij të integritetit, por edhe gatishmërinë për të minuar parimet kushtetuese të këtij shteti”, deklaroi më 27 dhjetor, Arbana Pasholli, deputete nga radhët e Frontit Evropian.

Gashi, gjatë një debati në televizionin Alsat, mes tjerash tha gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare, por në përdorim zyrtar, dhe se njëjta, siç shtoi Gashi, “është gjuhë e përkthyer”.

Qëndrimit të Gashit në mbrojtje i doli edhe njëri nga liderët e koalicionit shqiptar VLEN, pjesë e Qeverisë maqedonase, Arben Taravari, njëherësh ministër i Shëndetësisë, i cili deklaroi të njëjtën.

“Ne mund të kemi lojëra fjalësh, sa të duam. Gjuha shqipe nuk është e barabartë me gjuhën maqedonase. Këtu pajtohemi të gjithë. Para vitit 1991, para pavarësisë, gjuhë zyrtare në Maqedoni [të Veriut], sipas Kushtetutës kanë qenë gjuha maqedonase, shqipe dhe turke. Tash është gjuha maqedonase dhe 20% të popullatës që e flasin gjuhën shqipe. Kështu që, ne duhet të punojmë në këtë drejtim, dhe a do të themi se a është zyrtare apo jo, është kështu ose ashtu, nuk është e barabartë. Ne duhet të insistojmë, edhe të mundohemi që gjuha shqipe të qëndron si fjalë, jo si përqindje”, tha Taravari të premten përpara gazetarëve.

Megjithatë, nga Fronti Evropian rikujtuan amendamentin e pestë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

“Le t’i kujtojmë zotit Gashi disa fakte të pa kundërshtueshme: Amendamenti i pestë përcakton qartë gjuhën shqipe, si gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase. Ligji për përdorimin e gjuhëve e konsolidon më tej përdorimin e gjuhës shqipe si zyrtare në të gjitha sferat e jetës publike”, shtoi Pasholli.

Çka thotë amendamenti i pestë?

Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen.

Dokumentet personale të qytetarëve, të cilët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, lëshohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj, si dhe në atë gjuhë dhe alfabetin e saj, në përputhje me ligjin.

Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili ka qenë në qendër të diskutimeve gjatë viteve të fundit, është miratuar në vitin 2018 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2019. Ky ligj përbëhet nga 25 nene dhe ndryshimet kryesore që solli ishin: përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore.

Partia e kryeministrit maqedonas, Hristiajn Mickoski, VMRO-DPMNE-ja, e cila më 2018 ishte në opozitë, ndërsa tani në pushtet, së bashku me 12 iniciativa tjera, e kundërshtoi ashpër miratimin e ligjit, nuk mori pjesë në votim dhe e dërgoi këtë dokument menjëherë në Gjykatën Kushtetuese.

Më 11 dhjetor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim për kushtetutshmërinë e Ligjit për gjuhët, duke shtyrë kështu seancën për shkak të bojkotit nga dy gjykatësit shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.

Seanca e dytë më 20 mars

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, më 24 dhjetor konfirmoi se seanca e radhës përgatitore e Ligjit për përdorimin e gjuhëve do të mbahet më 20 mars të vitit 2025.

Kostadinsovski më 23 dhjetor kishte konfirmuar se në listën e emrave për seancë, janë përfshirë 20 emra, si ekspertë të së drejtës kushtetuese, të drejtës ndërkombëtare dhe ish-gjykatës nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilët do të ftohen për t’i dhënë mendimet e tyre. Kurse për dy gjykatësit shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, Kostadinsovski pret që të jenë të pranishëm, dhe t’i paraqesin argumentet e tyre juridike.

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Balancuesi, mekanizëm që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të jomaqedonasve në institucionet shtetërore në këtë vend, tashmë i shfuqizuar, dhe Ligji i gjuhëve u përfshin në rendin e ditës pak muaj pasi VMRO DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut.

Zv/ministri i Jashtëm i RMV në Korçë: Nuk preket gjuha shqipe as marrëveshja e Ohrit!

Zv/ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Zoran Dimitrevski ka vizituar këtë të enjten Korçën, nga ku ka folur rreth debatit të krijuar në Shkup për ligjin e gjuhëve që ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.

Ai u shpreh se asnjë nismë nuk do të prekë vendimet e përbashkëta, siç janë marrëveshjen e Ohrit e firmosur me shqiptarët, apo ajo e Prespës, e firmosur me Greqinë.

“Ka iniciativa për të riparë disa nga çështjet dhe ligjet e gjuhëve të ndryshme në Maqedoni, siç është gjuha shqipe. Këto vendime e rishikime nuk kanë qëllim të ndikojnë përdorimin e gjuhës shqipe. Janë çështje të specifikimeve të gjuhëve, uniformimin, ushtrinë, bankat. Është ende në gjykatë, por nuk do të ketë vendime antikushtetuese qe do të prekë përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni. Ne duam që shqiptarët të ndihen të lirë e të sigurtë, por është e rëndësishme që gjuha maqedonase të vlerësohet nga gjithë shtetasit në Maqedoni”, u shpreh Dimitrevski.

Zv/ministri i Jashtëm i RMV ndodhet në Korçë me rastin e 80-vjetorit të mësimit të gjuhës maqedonase në Shqipëri. Ai i shprehet mirënjohës Tiranës zyrtare, që ka lejuar komunitetin maqedonas të mësojnë dhe flasin pa problem gjuhën e tyre mëmë.

“Është mundësi historike sepse jemi fqinje të ngushtë dhe e vlerësojmë që Shqipëria ka lejuar maqedonasit të shprehin gjuhën e tyre. Ka ura bashkëpunimi midis dy vendeve dhe të dyja vendet duan të bëhen vende të BE dhe punojnë në çështjet gjuhësore dhe kulturore”, nënvizoi ai.  sn

Shkup, ish-zvkryeministri Artan Grubi shpallet në kërkim ndërkombëtar

VOA Isak Ramadani

Autoritetet policore në Maqedoninë e Veriut publikuan sot në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme njoftimin për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të ish-zv/kryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorin e “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami.

Kërkesa për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të ish-zyrtarit të lartë është lëshuar nga Prokuroria publike në Shkup, pasi Gjykata Themelore e miratoi të martën në mbrëmje kërkesën për caktimin e masës me paraburgim për zotin Grubi dhe Bajrami.

Ata dyshohen për përfshirje në manipulim me prokurimet publike për Lotarinë dhe ndarjen e jashtëligjshme të licencave për kompanitë e lojërave të fatit dhe kazinotë.

Tetë persona dyshohen si të përfshirë në këtë vepër penale. Sipas prokurorisë, ata i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi tetë milionë euro.

Autoritetet në Shkup thonë se ish-zëvendëskryeministri ndodhet në Kosovë, ku u arratis të dielën, ndërsa ish-drejtori Bajrami është strehuar po në Kosovë disa muaj më parë, sipas policisë.

Mediat lokale raportojnë se zoti Grubi ka angazhuar një avokat dhe se “do të kthehej në vend nëse gjykohet në gjendje të lirë”.

Vetë ish-zëvendëskryeministri nuk është prononcuar publikisht që nga e diela në mbrëmje kur shkruante në rrjetin social Facebook se ndodhej “jashtë shtetit për vizitë private dhe se do të kthehej sapo të kryente detyrimet”.

Artan Grubi u përcaktua nga Departamenti i Shtetit pak ditë më parë së bashku me gjykatësin Enver Bexheti si të përfshirë në korrupsion dhe u shpallën si “persona të padëshiruar”.


Send this to a friend