Futbollisti venezuelian, Hektor Belo
Një histori prekëse ka dalë në dritë mes tragjedisë së shkaktuar nga tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën.
Andrea Belo, bashkëshortja e futbollistit venezuelian Hektor Belo, humbi jetën pasi mbrojti vajzën e tyre të vogël gjatë shembjes së ndërtesës ku ndodheshin, në një nga zonat e goditura nga tërmetet në veri të Venezuelës.
Sipas rrëfimit të futbollistit dhe raportimeve të mediave vendase, vajza arriti të mbijetojë falë sakrificës së nënës së saj, e cila e mbrojti deri në momentet e fundit të jetës.
Në një mesazh emocionues të publikuar në rrjetet sociale, Hektor Belo i bëri një dedikim prekës bashkëshortes së ndjerë.

“Një ditë do t’i tregoj vajzës sonë historinë se si e shpëtove dhe se si dhe jetën tënde e dhe për të. Ishe një grua e guximshme që nuk e braktise kurrë, edhe kur more frymën e fundit”, shkroi futbollisti.
Ai bëri të ditur se vajza e tyre dhe tezja e saj ndodhen në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa familja po përballet me humbjen tragjike të Andreas.
Ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në zonat e prekura nga dy tërmetet që goditën veriun e Venezuelës. Sipas autoriteteve, deri më tani janë konfirmuar të paktën 589 viktima dhe rreth 2.980 të plagosur, ndërsa mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.
Mes viktimave raportohen edhe shtetas të huaj, përfshirë katër spanjollë, një portugez dhe dy brazilianë. Komuniteti ndërkombëtar ka nisur të ofrojë ndihmë për përballimin e pasojave të katastrofës.