Disa emigrantë në ujërat ndërkombëtarë duke pritur një anije gjermane për t’i shpëtuar. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Jetmira Delia-Kaci
Pas gjashtë tentativave të dështuara për të emigruar në Britani të Madhe, 28-vjeçari V.H. – identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it – po përpiqet të mbajë gjallë biznesin e tij të vogël në Kukës, të cilin e hapi pasi nuk kishte alternativë tjetër për të mbijetuar.
Ky, megjithatë, i duket një mision i vështirë, pasi gjendja ekonomike në Shqipëri është rënduar.
Sipas Institutit të Statistikave në këtë vend (INSTAT), Kukësi është qarku më i varfër në Shqipëri.
V.H. thotë se fitimet nga biznesi i tij janë të pamjaftueshme.
Ai ka provuar të gjitha ato herë të largohet ilegalisht nga Shqipëria me gomone, përmes Kanalit të La Manshit apo Kanalit Anglez, drejt Britanisë. Dhe, pavarësisht tmerrit që thotë se ka kaluar, sërish do të ishte i gatshëm ta bënte rrugën e njëjtë, në formën e njëjtë.
Rrugëtimi i tij për kërkimin e një jete më të mirë nisi tetë vjet më parë, fillimisht në Gjermani.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se për shkak të njohurive që kishte në gastronomi dhe falë ndihmës së bashkatdhetarëve të tij, nuk e pati të vështirë të gjente punë.
Por gjithçka ndryshoi me shpërthimin e pandemisë COVID-19, në vitin 2020, kur thotë se u detyrua të kthehej në Shqipëri.
“Sapo u liruan masat anti-COVID, emigrova sërish. Ishte e pamundur të mbaje familjen me një pagë shteti 36 mijë lekë [rreth 310 euro] në muaj. Ika në Francë, ku çdo ditë dëgjoja nga miqtë e mi se në Britani është më e lehtë të gjesh një punë dhe paguhet më mirë. Nuk e mendova gjatë, por provova të ikja me dokumente të falsifikuara si shtetas grek… Sigurisht që u kapa nga policia dhe më kthyen mbrapsht në Shqipëri”, tregon V.H. dhe shton se kësaj here e kishte të pamundur të qëndronte gjatë në Shqipëri, pasi kishte humbur edhe punën.
Miqtë i kishin thënë se për të emigruar në Britani, e vetmja mënyrë ishte kalimi me gomone nga Franca drejt Britanisë.
Tmerri i udhëtimeve me gomone që nuk u finalizuan kurrë
“Kam provuar gjashtë herë kalimin me gomone, secila përvojë ka qenë më e vështirë se tjetra. Ruaj kujtime të tmerrshme, episode që kur i kujtoj, habitem se si kam tentuar ta bëj sërish, por kam frikë se do ta provoj prapë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai tregon se, herën e parë, ka qëndruar rreth dy muaj në Francë pa pasur mundësi që të niset drejt Britanisë, për shkak të kontrolleve të shpeshta të policisë, por edhe motit të keq.
Grupi i trafikantëve shqiptarë, thotë ai, i mblidhte nëpër zona të ndryshme emigrantët “dhe i dorëzonte më pas te kurdët”, për të cilët thotë se kontrollojnë trafikun e emigrantëve të paligjshëm.
Kur plotësohej grupi prej 80 vetash, mund të bëhej nisja, thotë ai.
Ky udhëtim i parë i tij drejt Britanisë nuk u finalizua. Ai tregon se gomonia u kthye, pasi drejtuesit kuptuan se nuk po orientoheshin dot.
Dëgjojeni rrëfimin e V.H.
Të pashpresë, shqiptarët po rrezikojnë jetën për të shkuar në Britani
Sërish duhet të prisnin momentin e duhur e të fillonin nga e para me montimin e gomones, mbajtjen e saj mbi supe dhe nisjen mes të ftohtit.
I riu thotë se i ka mbetur në mendje gruaja që e ndihmoi të hynte në gomone, e cila kishte dy fëmijët me vete – djalin 14 vjeç dhe vajzën 9 vjeçe.
“Ndërsa prisja udhëtimin e radhës, thosha me vete se sa e pashpresë mund të jetë një nënë sa të detyrohet të marrë fëmijët e saj dhe të përballet me këtë situatë, duke e ditur se mund të rrezikojë edhe jetën duke udhëtuar me gomone”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai kujton se derisa prisnin nisjen, ruheshin me armë nga kurdët, dhe se përveç grupit të tyre kishte mjaft të tjerë, që prisnin të njëjtën gjë – udhëtimin me gomone drejt Britanisë.
Edhe pesë tentativa të tjera dështuan – herë se drejtuesit e gomones nuk ishin të orientuar, herë sepse mbaronte benzina. Ai tregon se kanë qëndruar deri në 20 orë në det, pasi sa niseshin, viheshin re nga policia dhe largoheshin.
V.H. kujton se pjesa më e madhe e shqiptarëve që prisnin udhëtimin me gomone, ishin 14-19 vjeç. Ai e mban në mend se si një 17-vjeçar nga Tirana qante shpesh, sepse ishte i pasigurt për fatin e tij – nëse do t’ia dilte dot të kryente udhëtimin shumë të rrezikshëm me gomone.
“Ishte e rëndë ta dëgjoje kur fliste, ta shihje kur qante dhe gjithnjë përsëriste: A thua do ta shoh prapë vëllain e vogël 9 vjeç? Më dhimbsej shumë e në të njëjtën kohë mendoja se si ka mundësi që pas kaq vitesh demokraci, ende ikim… tani edhe fëmijët. Mbaj mend një natë kur na tha që kishte ditëlindjen, por në kushtet ku ishim, çfarë mund të bënim për të… E morën vesh edhe kurdët që na drejtonin. Njëri prej tyre tha se meqë ka ditëlindjen, mund të qëllonte me armë, dhe i mituri qëlloi në ajër pa e menduar gjatë. Po atë natë, një grup tjetër kurdësh erdhën dhe u përleshën me grupin që na drejtonte neve, duke i akuzuar për vrasje, rrëmbime. Atëherë na kapi një frikë e madhe se 17-vjeçari mund të arrestohej, pasi kishte gjurmët e tij në një armë që nuk dihej për çfarë krimesh ishte përdorur”, kujton V.H.
“Kam kaluar shumë momente të vështira, por prapë nuk e mendova të kthehesha, derisa policia na kapi”, thotë ai, duke treguar se u mbajtën 28 ditë në paraburgim dhe u kthyen në Shqipëri.
Vështirësitë e integrimit të një emigranti: Gati të nisem sërish me gomone
Kur Radio Evropa e Lirë e pyet përse zgjodhi të rrezikonte kaq shumë dhe të mos tërhiqej edhe pas këtyre vuajtjesh, ai ka vetëm një përgjigje:
“Çfarë të bëj këtu në Kukës apo kudo tjetër? Ky vend nuk ofron asgjë. Nuk të jep mundësi, nuk të mbështet, shkurt nuk mbijeton dot, nuk mban dot familjen”.
Pas kthimit i duhej të mendonte se si të siguronte të ardhura për familjen, dy prindërit, bashkëshorten dhe vajzën e tij.
“E nis punën në 4:00 të mëngjesit dhe e mbyll në 8:00 të darkës. Të gjitha çmimet janë rritur, nafta, energjia, lënda e parë. Dhe, çdo ditë them: Dakord, e pata një ide, hapa një biznes, por si do të mbijetoj në një vend si Kukësi, ku ka gjithnjë e më pak banorë, dhe ku varfëria është e madhe? Vijnë, pyesin për çmimet dhe largohen pasi të kritikojnë pse i mban kaq lart çmimet. Dhe, si t’ua shpjegoj se ndryshe nuk ia vlen dhe më duhet ta mbyll biznesin tim? Por, ndërsa qytetarëve nuk ua shpjegoj dot situatën, nuk arrij të kuptoj se si ka mundësi që institucionet nuk ndihmojnë iniciativat e të rinjve, që të rrimë këtu. Askush nuk do të ikte nga vendi i tij”, thotë ai.
Ai tregon se është në borxh, të cilin e mori për ta hapur biznesin, dhe thotë se do të provojë edhe pak të qëndrojë në Shqipëri.
“Por, nuk e di se sa do të zgjasë. Kam frikë se sapo të më vijë mundësia e parë, do të emigroj prapë, prapë me gomone. Kam arritur në pikën që jam gati të rrezikoj, edhe nëse e di se mes dallgëve të pret vdekja… Por, sigurisht, ik me shpresën se do ia dal dhe do të punoj e do të paguhem aq sa e meritoj, aq sa më mjafton për të jetuar me dinjitet. Është e vështirë të përballohet jetesa me kaq të ardhura dhe kam një pyetje për zyrtarët: A do të jetonin dot vetëm një muaj me 30 apo 40 mijë lekë [më pak se 400 euro] në muaj?”, thotë ai.
“Nëntë orë në kamion frigoriferik, pagova 18 mijë funta”
Një tjetër i ri nga Kukësi, që po ashtu nuk dëshiron të identifikohet, rrëfen për Radion Evropa e Lirë se si arriti të hynte në Britani, ku po punon në të zezë.
“Jam larguar në fund të vitit 2020, me autobus drejt Belgjikës. Kam qëndruar disa ditë në një hotel, ku vetëm aty ishin rreth 500 shqiptarë që prisnin të iknin drejt Anglisë. Prej aty, duhet të kalonim në Spanjë dhe kam parë mënyra nga më të ndryshmet dhe të rrezikshmet se si shqiptarët përpiqeshin të arrinin në Angli. Futeshin në aksin e kamionëve për të hyrë në traget pa u vënë re, kapeshin pas litarëve të anijeve… Unë kam udhëtuar në një kamion frigoriferik për nëntë orë. Kam qenë me dy shqiptarë të tjerë. Ishte shumë e vështirë t’i përballoje temperaturat e ulëta dhe në çdo çast në ankth nëse do ia dilja, nëse do zbulohesha nga policia”, tregon ai.
Ky udhëtim i ka kushtuar shtrenjtë këtij emigranti.
“Kam paguar 18 mijë funta [mbi 20 mijë euro] për të hyrë në Britani. Më duhen akoma edhe 4 mijë euro për ta shlyer këtë borxh. Punoj në ndërtim, së bashku me shumë shqiptarë, por jemi pa dokumente. Për këtë arsye paguhemi më pak se ata që janë të rregullt, e po ashtu jemi me frikën se mund të ndalohemi e të kthehemi mbrapsht”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai tregon se shumë shqiptarë shkojnë në Britani me vizë turistike 6-mujore dhe se kjo u jep mundësi që të punësohen dhe më pas të arrijnë t’i bëjnë dokumentet.
Duke kujtuar peripecitë që i ka kaluar për të hyrë në Britani dhe referuar nevojës që ka ky vend për forcë punëtore, emigranti thotë se do të ishte mirë të mundësohej punësimi legal sezonal, e në këtë mënyrë, sipas tij, do të shmangej edhe përfshirja e të rinjve shqiptarë në aktivitete ilegale.
Një anketë e INSTAT-it, e realizuar në bashkëpunim me disa organizata ndërkombëtare dhe e publikuar në vitin 2019, ka treguar se në periudhën 2011-2019 nga Shqipëria janë larguar 360 mijë persona. Sipas kësaj ankete, 50 për qind e të larguarve janë të rinj të moshës 15-24 vjeç.
Shkaku kryesor që të anketuarit kanë përmendur për emigrimin e tyre, është varfëria, ndërsa ndër qarqet me humbjet më të mëdha të banorëve renditej Kukësi.
Numri i lartë i emigrantëve shqiptarë shqetësoi autoritetet britanike, dhe në mes të muajit dhjetor të vitit që shkoi, Britania dhe Shqipëria ranë dakord për ngritjen e një task-force të përbashkët, për të adresuar emigracionin e paligjshëm.
Sipas marrëveshjes mes dy vendeve, Shqipëria konsiderohet vend i sigurt dhe në këmbim të ndihmës nga Britania, merr përsipër të kujdeset për të kthyerit që konsiderohen viktima të trafikimit.
Sipas autoriteteve britanike, në vitin 2022 është shënuar shifër rekorde e njerëzve që kanë kaluar Kanalin Anglez me barka të vogla për të hyrë në Mbretëri të Bashkuar – më shumë se 33.500.
Më 14 janar, ministri britanik për Imigrim, Robert Jenrick, ka thënë se autoritetet shtetërore janë duke punuar për të luftuar hyrjet e paligjshme dhe ka përmendur në veçanti migrantët nga Shqipëria.
Sipas tij, në mesin e tyre ka edhe kriminelë.
“Këta migrantë, jo vetëm që janë këtu ilegalisht – duke tentuar të mashtrojnë sistemin përmes arritjes me barka të vogla nëpër Kanalin Anglez – mirëpo të tjerë janë kriminelë të rrezikshëm, të cilët janë dënuar për shkelje të lidhura me drogën”, ka thënë ai.
Shqipëria nis notë verbale ndaj Britanisë
Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë i dërgoi notë verbale Britanisë së Madhe për retorikën e përdorur, që Tirana zyrtare e cilësoi si “gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim” ndaj emigrantëve shqiptarë.
Ministria tha të hënën se nota verbale iu dorëzua ambasadorit britanik në Tiranë, Alaistar King Smith.
“Kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit dypalësh, të konfirmuar në Deklaratën e përbashkët mes kryeministrave Edi Rama dhe Rishi Sunak”, thuhet në notën verbale.
Përmes këtij reagimi zyrtar kërkohet shmangia e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimi, si dhe vazhdimi i dialogut dhe bashkëpunimit mes dy vendeve për këtë dhe çështje të tjera.
Ndërkohë, ministrja për Punë të Jashtme dhe Evropë e Shqipërisë, Olta Xhaçka, është shprehur e shokuar me deklaratat e ministrit britanik dhe e ka konsideruar gjuhën e përdorur nga ai si “linçim ndaj gjithë kombit”.
“Një veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër i një demokracie të mrekullueshme, që kthen mbrapa kujtime të tmerrshme”, ka thënë mes tjerash Xhaçka.
Më herët, edhe ministrja e Brendshme britanike, Suella Braverman, i cilësoi emigrantët shqiptarë si “kriminelë”. Kjo deklaratë u dënua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa qindra shqiptarë dolën në protestë në Londër.
Disidenti dhe gazetari i burgosur rus, Vladimir Kara-Murza, u nderua me çmimin Pulitzer për artikujt e tij që u botuan në Washington Post.
Kara-Murza “fitoi për rubrikat pasionante të shkruara në rrezik të madh personal nga qelia e tij e burgut, duke paralajmëruar për pasojat e mospajtimit në Rusinë e Vladimir Putinit dhe duke këmbëngulur për një të ardhme demokratike për vendin e tij”, tha Komiteti Pulitzer në një deklaratë më 6 maj.
Kara-Murza, aktualisht, është duke vuajtur një dënim me 25 vjet burgim – më i gjati që i është dhënë një kundërshtari të Kremlinit në Rusinë post-sovjetike, për diskreditim të ushtrisë ruse dhe tradhti, pas komenteve që ai bëri në fjalimet jashtë Rusisë duke kritikuar politikat e Moskës.
Kara-Murza, i cili mban pasaporta ruse dhe britanike, u arrestua fillimisht në prill të vitit 2022 pasi u kthye në Rusi nga jashtë dhe u akuzua për mosbindje ndaj një oficeri policie.
Ai u akuzua më vonë për diskreditimin e ushtrisë ruse, një akuzë që rrjedh nga agresioni i plotë i Rusisë në vitin 2022 kundër Ukrainës dhe një shtytje e Kremlinit për t’i zhdukur kritikat për këtë temë.
Ai u akuzua më vonë për tradhti, për komentet që ai bëri gjatë fjalimeve jashtë Rusisë që kritikonin politikat e Kremlinit.
Në prill të vitit të kaluar, Kara-Murza u shpall fajtor për të gjitha akuzat dhe u dënua me 25 vjet burgim.
Ligjvënësit evropianë miratuan më 25 prill një rezolutë që bën thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte” të të gjithë të burgosurve politikë në Rusi.
Rezoluta e miratuar më 25 prill është pjesë e një mocioni të përbashkët në PE që dënon zgjedhjet “jodemokratike” presidenciale të mbajtura në Rusi dhe “zgjerimin e paligjshëm” të zgjedhjeve në territoret brenda Ukrainës që Moska ka aneksuar paligjshëm.
Rezoluta bën thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte, por edhe kompensimin e të gjithë të burgosurve politikë…. për lirimin e gazetarëve të arrestuar padrejtësisht, përfshirë Alsu Kurmashevan dhe Evan Gershkovichin, dhe familjet e tyre, për rivendosjen e lirisë së shprehjes dhe tubimit në Rusi dhe rritjen e kontrollit ndërkombëtar dhe monitorimit e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Rusi”.
Në rezolutë, po ashtu, përmenden Vladimir Kara-Murza, Oleg Orlov, Ksenia Fadeeva, Ivan Safronov dhe Ilya Yashin, të cilët PE-ja tha se janë të burgosur politikë dhe duhet të lirohen. REL
Një ushtar amerikan është arrestuar në Rusi dhe akuzohet për vjedhje, thanë dy zyrtarë amerikanë.
Zyrtarët thanë se rreshteri Gordon Black, 34 vjeç, ishte i dislokuar në Korenë e Jugut dhe po ndiqte procesin e rikthimit për në bazën Fort Cavazos, në Teksas të Shteteve të Bashkuara. Por në vend të kthimit në atdhe, zyrtarët thanë se ai udhëtoi drejt Rusisë.
Zyrtarët amerikanë folën për gazetarët me kusht ruajtjen e anonimitetit.
Zëdhënësja e ushtrisë, Cynthia Smith, konfirmoi se ishte arrestuar një ushtarak me akuza për shkelje penale të enjten, në Vladivostok, një qytet-port i rëndësishëm nga pikëpamja ushtarake dhe tregtare në bregdetin e Paqësorit. Ajo tha se Rusia njoftoi për këtë Shtetet e Bashkuara dhe se ushtria amerikane njoftoi familjen e ushtarakut.
“Departamenti amerikan i Shtetit po jep mbështetjen e duhur konsullore për ushtarin në Rusi”, tha zonja Smith.
Nuk ishte e qartë të hënën nëse ushtari konsiderohet i larguar me apo leje.
Ky arrestim vjen më pak se një vit pasi ushtari amerikan Travis King kaloi me vrap drejt Koresë së Veriut, përmes kufirit të fortifikuar rëndë mes dy Koreve. Koreja e Veriut njoftoi më vonë se do ta dëbonte zotin King dhe ia dorëzoi atë autoriteteve amerikane. Ai u akuzua më pas për dezertim.
Rusia njihet për mbajtjen në burgjet e saj të disa amerikanëve, ndër të tjerë drejtuesin e kompanive private të sigurisë, Paul Whelan dhe gazetarin e gazetës “The Wall Street Journal”, Evan Gershkovich. Qeveria amerikane i ka përcaktuar të dy si “të mbajtur padrejtësisht” dhe është përpjekur të negociojë për lirimin e tyre.
Ndër të burgosurit e tjerë janë Travis Leake, një muzikant që jetonte prej vitesh në Rusi dhe u arrestua vitin e kaluar për akuza që kishin të bënin me drogë; Marc Fogel, një mësues në Moskë i dënuar me 14 vite burgim, gjithashtu me akuza për drogë; si dhe dy gra me dyshtetësi amerikane dhe ruse, gazetarja Alsu Kurmasheva dhe Ksenia Khavana.
Arrestimi i ushtarit amerikan u raportua fillimisht nga kanali televiziv NBC News.
Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron gjatë vizitës në Kiev duke parë mjete ushtarake ruse të shkatërruara (2 maj 2024)
VOA
Moska paralajmëroi të hënën se do të godasë objektiva ushtarake britanike brenda Ukrainës dhe gjetiu, nëse forcat ukrainase godasin Rusinë me raketat me rreze të gjatë të furnizuara nga Britania. Dërgimi i këtyre raketave drejt Ukrainës u miratua nga sekretari i Jashtëm britanik David Cameron.
Gjatë një vizite në Kiev javën e kaluar, sekretari Cameron tha se forcat ukrainase do të mund të përdorin raketat britanike me rreze të gjatë për të goditur objektiva brenda territorit të Rusisë. “Ndërsa Rusia po godet brenda Ukrainës, mund ta kuptoni përse Ukraina ndjen nevojën të sigurohet që po mbrohet”, tha zoti Cameron gjatë një interviste me agjencinë e lajmeve Reuters javën e kaluar.
Zoti Cameron tha gjithashtu se Londra nuk ka vendosur parakushte për mënyrën se si do t’i përdorin forcat ukrainase armatimet e dhëna nga Britania.
Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi nëpërmjet një deklarate se ka thirrur në takim ambasadorin britanik në Moskë, Nigel Casey dhe e paralajmëroi atë se nëse forcat ukrainase përdorin për të goditur Rusinë armatime të furnizuara nga Britania, Moska mund të kundërpërgjigjet ndaj “çdo objekti ushtarak britanik dhe paisjeve në territorin ukrainas apo më gjerë”.
“Ambasadorit iu bë thirrje të reflektojë për pasojat e pashmangshme katastrofike nga hapa të tilla armiqësore nga Londra dhe të refuzojë menjëherë në mënyrën më të fortë dhe pa ekuivok deklaratat luftarake dhe provokative nga drejtuesi i Zyrës së Jashtme”, thuhet në deklaratën e Rusisë.
Më herët, Rusia njoftoi se po planifikonte stërvitje të reja bërthamore pranë kufijve të Ukrainës, duke përmendur “kërcënimet” e bëra nga udhëheqës perëndimorë, përfshirë kryeministrin francez Emmanuel Macron dhe zyrtarët britanikë, si dhe në formë përgjigjeje ndaj manovrave të gjera stërvitore të NATO-s pranë kufijve të Rusisë.
UKRAINA VAZHDON RIPARIMIN E RRJETIT ENERGJITIK, NDËRSA SHTOHEN SULMET E RUSISË
Ukraina njoftoi ndërkaq të hënën se ka rikthyer energjinë për qindra mijëra persona që kishin mbetur pa drita pas sulmeve të forcave ruse gjatë natës. Ukraina pranon megjithatë se po përballet me “sfida urgjente” për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së saj energjitike.
Forcat ruse kanë goditur vazhdimisht objektet energjitike ukrainase, duke shkaktuar terr dhe furnizimin e energjisë në kuota të pakësuara në mbarë vendin. Mbi 400 mijë shtëpi patën mbetur pa energji në rajonin Sumy pasi forcat ruse goditën linjat e voltazhit të lartë, thanë zyrtarët ukrainas të energjitikës.
Forcat ruse kanë shtuar sulmet në rajonet Sumy dhe Kharkiv gjatë muajve të fundit, duke rritur frikën se Rusia mund të jetë duke përgatitur një ofensivë tokësore në këto rajone, që u morën vetëm pjesërisht në fillimet e sulmit të forcave ruse.
Kievi gjithashtu thotë se Moska ka shtuar sulmet nga ajri dhe toka, ndërsa afron 9 maji, dita kur Rusia shënon fitoren ndaj Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ukraina ndërkohë nuk ka municione të mjaftueshme dhe është në pritje të furnizimeve jetike nga Shtetet e Bashkuara.
Për këtë artikull u morën të dhëna nga agjencitë e lajmeve Reuters, Associated Press dhe AFP.
Perëndimi, dhe si rrjedhim NATO, përballen me një lloj të ri kërcënimi, i cili nuk është më teorik pasi rrjetet e mëdha të të dhënave nënujore dhe transmetimit të energjisë janë të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve dhe sulmeve të jashtme keqdashëse. Ky kërcënim është kritik pasi këto rrjete janë të prekshme ndaj sulmeve jo vetëm nga Rusia, por edhe nga sulme të pakontrolluara terroriste ose kriminale.
Duke qenë se 95% e internetit në botë qarkullon përmes rrjeteve nënujore, është i dukshëm ndikimi masiv që ndërhyrja e dhunshme dhe ndërprerja e trafikut të të dhënave do të kishte në ekonominë globale dhe në të gjitha fushat e jetës, madje edhe në kryerjen e operacioneve ushtarake. Nëpërmjet transferimit të të dhënave nga rrjeti nënujor i kabllove me fibra optike, vlerësohet se transaksionet ditore kryhen në nivel global që arrijnë në 8 trilionë dollarë.
Gjatësia prej mijëra kilometrash e kabllove nënujore e bën atë të pambrojtur si sistem dhe i jep përparësi kujtdo që kërkon të dëmtojë këto rrjete.
Në NATO vitet e fundit ka pasur një shqetësim të madh për ruajtjen e sigurisë së rrjeteve të nëndetëseve. Vetëm pak ditë më parë, një oficer i lartë i NATO-s, zëvendës-admirali Didier Malleterre, paralajmëroi në një intervistë për TheGuardian se kabllot dhe tubacionet kritike nënujore janë në rrezik.
Zëvendësadmirali, i cili është zëvendës komandant i Shefave të Përbashkët të Operacioneve Detare (MARCOM) dhe ka shërbyer në nëndetëse, tha se ka aktivitete të dyshimta dhe raste dëmtimi që ngrenë alarmin për kërcënimet e mundshme nga Rusia dhe që vendet e NATO-s po përdorin softuer të inteligjencës artificiale, sensorë dhe më shumë për të mbrojtur rrjetet e cenueshme nënujore pasi rrezikohet siguria e 1 miliard qytetarëve të vendeve anëtare të Aleancës.
Sipas zëvendës-admiralit, NATO ka identifikuar disa raste të aktivitetit të dyshimtë rreth infrastrukturës nënujore në vitet e fundit dhe shtoi se rusët “kanë zhvilluar shumë luftën hibride nën det për të prishur ekonominë evropiane”.
Në një kohë të tensioneve në rritje, vendet e NATO-s po detyrohen të skanojnë gjerësisht ujërat e tyre duke përdorur sensorë, satelitë dhe madje edhe pajisje nënujore për të zbuluar lëvizjet e dyshimta dhe për të mbrojtur rrjetet nënujore.
Më 16-17 prill, një takim i madh midis përfaqësuesve të industrive të teknologjisë së lartë dhe kompanive dhe qeverive u mbajt në selinë e NATO-s në Bruksel për të diskutuar sfidat detare. Qëllimi i Simpoziumit të Industrisë Dixhitale të Oqeanit ishte forcimi i aftësive të NATO-s për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e rrjeteve të komunikimit detar, të cilat janë kritike për sigurinë e rajonit Euro-Atlantik, me kapitullin më të rëndësishëm mbrojtjen e infrastrukturës nënujore.
Në Samitin e NATO-s në Vilnius në vitin 2023, liderët e Aleancës vendosën të krijojnë një Qendër të Sigurisë Detare Kritike të Infrastrukturës Nënujore, në kuadër të Komandës Detare të Aleancës (Komanda Detare – MARCOM), ndërsa në fillim të vitit 2023 Bërthama e Koordinimit të Infrastrukturës Nëndetare u krijua në selinë e NATO-s në Bruksel.
Në të kaluarën, ka pasur incidente të dyshimta që kanë të bëjnë me infrastrukturën nënujore. Në tetor 2023, u gjetën dëmtime në kabllot e telekomunikacionit dhe një tubacion gazi natyror midis Estonisë dhe Finlandës për një shkak të panjohur. Hetimet treguan se dëmi ishte shkaktuar nga një spirancë, por anija përgjegjëse nuk u identifikua, megjithëse, sipas provave, një anije ruse dhe një kineze po lundronin pranë zonës në atë kohë. Në shkurt të vitit 2022, pas hetimeve u zbulua se kishte ndërhyrje njerëzore në shkaktimin e dëmtimit të një kabllo norvegjeze me fibër optike nënujore për transmetimin e të dhënave, ndërsa disa muaj më parë një pjesë e kabllit ishte zhdukur.
Gjithashtu, një episod që ndezi alarmin u regjistrua në shtator 2022 kur u dëmtua tubacioni i gazit natyror Nord Stream midis Rusisë dhe Gjermanisë. Perëndimi fajësoi Rusinë, ndërsa Moska akuzoi Ukrainën, SHBA-në dhe Britaninë për sabotim.
Shumë përpara luftës në Ukrainë në 2017, zyrtarët e NATO-s si Komandanti i Nëndetëseve po paralajmëronin se kishte një aktivitet intensiv nënujor nga rusët pranë kabllove të nëndetëseve. Por edhe një vit më parë, shefi i inteligjencës së NATO-s, David Cutler paralajmëroi se “ka shqetësime në rritje se Rusia mund të synojë kabllot nënujore dhe infrastrukturën tjetër kritike në një përpjekje për të prishur jetën në Perëndim, për të fituar leva dhe levë kundër atyre shteteve që ofrojnë siguri. në Ukrainë”.
Të përballur me faktet e reja, Britania dhe Franca tani përfshijnë sigurinë e infrastrukturës nënujore të kabllove dhe tubacioneve në Doktrinën e tyre Detare për të siguruar aftësitë e nevojshme për këtë “luftë” të re të madhe të shtratit të detit. sn
Vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik mbështetën rezolutën e propozuar nga Kombet e Bashkuara për të shpallur 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës.
Deklarata, e cila shpreh mbështetje për miratimin e rezolutës, u soll në takimin dyditor të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, i cili përfundoi të dielën në kryeqytetin e Gambisë, Banjul.
Për miratimin e saj votuan 57 vende anëtare të Organizatës, në të cilën Bosnje e Hercegovina ka statusin e vëzhgueses.
Organizata e Bashkëpunimit Islamik është organizata më e madhe pas Kombeve të Bashkuara, dhe anëtarët e saj përfshijnë vende nga katër kontinente.
Propozimi përfundimtar për rezolutën për Srebrenicën iu dërgua presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Dennis Francis, dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB, njoftoi më 2 maj ambasadori i Bosnjës në OKB, Zllatko Llagumxhija.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së caktoi një debat për Bosnje e Hercegovinën për datën 15 maj, por nuk u bë e ditur se cila do të jetë tema konkrete dhe as kush do ta mbajë seancën.
Drafti përfundimtar i rezolutës, të cilin e pa Radio Evropa e Lirë, thekson vendimin e OKB-së për ta shpallur 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, e cila do të shënohet çdo vit.
Në Srebrenicë, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë, në korrik të vitit 1995.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi këtë krim si gjenocid në vitin 2007.
Më shumë se 50 persona u dënuan për të nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe gjykatat vendase, me rreth 700 vjet burg në total.
Me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera në Bosnje e Hercegovinë u dënuan komandanti i ushtrisë së Republikës Sërpska në kohën e luftës, Ratko Mlladiq, dhe udhëheqësi i atëhershëm i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq.REL
Kur gazetarja kineze Su Yutong u largua nga vendi i saj në vitin 2010, ajo mendoi se do të gjente sigurinë. Por korrespondenti i Zërit të Amerikës, Liam Scott, njofton nga Berlini se zonja Yutong po sulmohet nga Kina, ndërsa qëndron si azilante në Gjermani.
Su Yutong është bërë një kuzhiniere e mirë. Përgatitja e gatimeve që i pëlqenin në Pekin, e lidh gazetaren me vendin e saj të origjinës dhe e ndihmon të mbushë ditët e gjata që i kalon e vetme në shtëpi.
Arsyeja për vetëizolimin e saj janë sulmet dhe kërcënimet prej vitesh nga Kina.
“Vazhdoj të them të vërtetën. Kështu që duan të më heshtin, edhe duke më kërcënuar”, thotë zonja Yutong.
Shpërndarja e një libri të ndaluar në Sheshin Tiananmen në vitin 2010 ishte fillimi i problemeve për zonjën Su. Policia kineze i bastisi shtëpinë në Pekin dhe ajo u vendos nën arrest shtëpiak.
Por, me ndihmën e miqve, ajo u arratis drejt Evropës.
Për ca kohë, kryeqyteti i Gjermanisë i dha një ndjesi sigurie. Zonja Su shkruajti artikuj për të drejtat e njeriut për rrjetin Deutsche Welle dhe më pas Radion Azia e Lirë. Por në vazhdim ajo e humbi ndjesinë e sigurisë.
Në vitin 2022, burra të çuditshëm filluan të shfaqeshin tek godina e saj, të sjellë aty nga një faqe e paligjshme për seksin në internet ku ishte publikuar adresa e saj.
“Ndjeva neveri dhe poshtërim. Kisha edhe probleme mendore në atë kohë dhe kisha frikë të ecja në rrugë”, thotë ajo.
Më pas gjërat u përkeqësuan. Në vitin 2023, identiteti i zonjës Su dhe dy aktivistëve të tjerë u përdorën për t’u regjistruar në hotele në Berlin dhe qytete të tjera. Nga ato dhoma u bënë telefonata për të lajmëruar për vendosje bombash.
Ekspertët thonë se rasti i saj është ekstrem edhe për Pekinin, që radhitet megjithatë ndër vendet që bëjnë represionin më të madh ndaj personave në vende të tjera.
“Taktikat bazë të represionit transnacional janë përgjithësisht të krijuara me qëllimin për t’i treguar njerëzve se nuk mund t’i shpëtojnë qeverisë kineze”, thotë Marieke Ohlberg, nga Fondi Marshall Gjerman.
Objektivi kryesor është ndalja e kritikave ndaj Kinës në vende të tjera. Ambasada e Kinës në Berlin dhe ministria e Jashtme kineze nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të Zërit të Amerikës.
Të qenit objekt i këtyre sulmeve është një përvojë shumë vetmitare. Për një periudhë dyvjeçare, zonja Su pothuajse nuk dilte fare nga apartamenti i saj. Ajo thotë se edhe diçka e thjeshtë, si një shëtitje në park, mund të shoqërohet me ndjesinë e rrezikut.
“Kur dilja, kontrolloja gjithë kohës se mos kishte njerëz të dyshimtë përreth meje dhe rrallë dilja nga shtëpia”, tregon zonja Yutong. Një reagim i këtillë është i pritshëm, thonë ekspertët.
“Paranoja është një reagim i zakonshëm në komunitete të ndryshme. Njerëzit shpesh frikësohen se faktorë të tjerë, apo individë brenda komunitetit mund t’i spiunojnë. Dhe kjo nuk është frikë e pabazë”, thotë Gozde Bocu, nga organizata për teknologjinë dhe të drejtat e njeriut “Citizen Lab”.
Megjithatë, zonja Su thotë se tani ndjehet më pak e frikësuar.
“Nuk e prisnin që pak nga pak unë do të arrija të dal nga hija ku më futën. Mendoj se janë ata që duhet të më kenë frikë mua dhe jo e anasjellta. Nuk munden të më heshtin. Nuk ia arrijnë dot kësaj”, thotë zonja Yutong.
Jeta e saj është përmbushur sërish, por në apartamentin e saj ka mobilje të pakta. Pas incidenteve të vitit 2023, policia gjermane rekomandoi që ajo të ndërronte vendbanimin. Ajo u zhvendos dhe la pothuajse gjithçka pas.
“Kina bllokon të vërtetën. Duhen gazetarë të shumtë që të thonë historitë e vërteta, të tregojnë ngjarjet reale dhe të vërtetën”, thotë ajo.
Në një njëfarë mënyre, zonja Su thotë se të jep një ndjesi të mirë kur mëson se edhe Pekini frikësohet. Nëse nuk do t’ja kishin frikë, mendon zonja Su, nuk do të ishin përpjekur kaq shumë që ta heshtin.
Është përshkallëzuar debati dhe përplasja mes Buenos Aires dhe Madridit, pas komentit të një ministri spanjoll, se presidenti i Argjentinës Javier Millay po merrte drogë.
Buenos Aires nga ana tjetër akuzoi kryeministrin Pedro Sanchez se rrezikonte gratë dhe e çoi Spanjën në varfëri, një deklaratë e karakterizuar si “e pabazë” nga Madridi.
Gjithçka nisi nga komenti, mbrëmjen e së premtes, e ministrit të Transportit të Spanjës, Oscar Puente.
“E pashë Miley-n në TV” kur ishte në fushatë. Nuk e di nëse ka qenë para apo pasi ka marrë substanca. Mendova, nuk është e mundur të fitosh zgjedhjet. Ka shumë njerëz të këqij, të cilët, duke qenë ata që janë, arritën në krye ”, tha ministri duke përmendur si shembuj Miley-n dhe ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Millay ishte i shpejtë për t’iu përgjigjur deklaratave të Puente me një postim shumë të mprehtë në Platformën X, ku ai akuzon Sánchezin se e çoi popullin spanjoll drejt varfërisë dhe vdekjes, raporton Politco.
“Sanchez rrezikon klasën e mesme me politikat e tij socialiste që sjellin vetëm varfëri dhe vdekje dhe minoi unitetin e mbretërisë duke bërë një marrëveshje me separatistët, duke lejuar në të njëjtën kohë emigracionin e paligjshëm e duke vënë gratë spanjolle në rrezik”, është shprehur ai.
Millay tha gjithashtu se Sanchez “ka çështje më të rëndësishme për t’u marrë, siç janë akuzat për korrupsion kundër gruas së tij”, të cilat prokurorët kanë sugjeruar që të hiqen.
Madridi nga ana e tjetër iu përgjigj Millay, me një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme, në të cilën thuhet se “refuzon kategorikisht deklaratat të pabaza të presidentit argjentinas, që nuk korrespondojnë me marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve të tyre vëllezër”.
Ndërkohë, sipas mediave të huaja, Millay do të vizitojë Spanjën pas dy javësh për të marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga partia e ekstremit të djathtë, anti-imigracioni Vox. Por ai nuk do të takohet as me kryeministrin dhe as me mbretin e vendit.
Në zgjedhjet presidenciale të Argjentinës, Pedro Sanchez mbështeti hapur kundërshtarin e Miley-t, Sergio Massa dhe nuk e thirri presidentin e ri për ta uruar pas fitores.
Ministria e Jashtme e Spanjës e kufizoi veten duke i uruar “fat të mirë Argjentinës në këtë hap të ri”, pa përmendur emrin e Javier Millay. Në vend të kësaj, udhëheqësi i Vox Santiago Abascal shkoi në Buenos Aires dhe mori pjesë në ceremoninë e Millay. sn
Astronautët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor po përgatiten për mbërritjen e ardhshme sondës së parë hapësinore me njerëz në bord të kompanisë Boeing. Anëtarët e ekuipazhit të fundit mbërritën me sondën e kompanisë SpaceX në laboratorin orbital më 5 mars. Astronautja e NASA-s, Jeanette Epps, thotë se ajo është mahnitur nga fluturimi dhe pamjet që “të lënë pa frymë” të Tokës nga hapësira.
Astronautët e NASA-s Jeanette Epps dhe Michael Barratt mbërritën në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës më 5 mars, ku do të mbikëqyrin ardhjen e një sonde të re gjatë periudhës së tyre gjysmë-vjeçare.
Ata zëvendësuan një ekuipazh nga Shtetet e Bashkuara, Danimarka, Japonia dhe Rusia, të cilët ishin atje që nga gushti.
Qëndrimi gjashtëmujor i ekuipazhit përfshin përgatitjet për mbërritjen e një sonde të re të NASA-s.
Sonda e re “Starliner” e kompanisë Boeing me pilotë testues pritet të mbërrijë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor javën e ardhshme.
“Do të analizojmë çdo detaj të fluturimit, ankorimin dhe çdo gjë tjetër të vogël gjatë këtij operacioni. Kjo është emocionuese sepse kemi të bëjmë me në automjet të ri”, tha astronauti i NASA-s Michael Barratt lidhur me mbërritjen e kapsulës “Starliner”.
Astronautja e NASA-s Jeanette Epps nga qyteti Sirakus i shtetit të Nju Jorkut, është gruaja e dytë me ngjyrë e caktuar në një mision të gjatë në Stacionin Ndëkombëtar Hapësinor.
Ajo tha para fluturimit se është veçanërisht krenare që do të jetë një shembull për afrikano-amerikanet, duke demonstruar se fluturimi në hapësirë “është një opsion për ato, se kjo gjë nuk është vetëm për njerëzit e racave të tjera”.
Si inxhiniere, ajo punoi për kompaninë Ford dhe CIA-n përpara se të bëhej astronaute në vitin 2009.
Ajo thotë se mbërritja në hapësirë ishte shumë emocionuese pas shumë vitesh pritjeje.
“U mahnita nga shumë gjëra që pashë në hapësirë, përfshirë Tokën dhe planetet e tjera”, thotë ajo.
Michael Barratt, një mjek në misionin e tij të tretë, është astronauti më i moshuar që ka fluturuar në hapësirë. Ai mbushi 65 vjeç më 16 prill.
“Çfarëdo faktori që mund të ketë luajtur mosha, e kam tejkaluar me sukses, sepse u përshtata më shpejt. Ky ishte fluturimi im i tretë në hapësirë”, tha ai.
Sigurisht, së shpejti NASA do të dërgojë sërish astronautë në Hënë.
Ndonëse zbarkimi i parë i njeriut në Hënë në më shumë se 50 vjet u shty për një vit, ai pritet të realizohet në vitin 2026.
Astronautët Epps dhe Barratt do të qëndrojnë në hapësirë për gjashtë muaj. Ata do të kthehen në Tokë në muajin shtator.
Presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky u shfaq në listën e të kërkuarve të Ministrisë së Brendshme ruse ditën e sotme. Vepra e saktë për të cilën ai akuzohet mbetet e paqartë sipas mediave në Rusi.
Faqja e internetit e ministrisë thotë se presidenti ukrainas kërkohet sipas një neni të Kodit Penal të Rusisë dhe përmban emrin dhe fotografinë e tij të plotë, si dhe datën dhe vendin e lindjes. Nuk ka të dhëna për procedimin penal ndaj tij.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Aleksandr Litvinenko, u vu gjithashtu në listën e të kërkuarve të Rusisë. Ai e mori postin nga paraardhësi i tij Aleksey Danilov në mars. Edhe në këtë rast, nuk janë specifikuar detaje të akuzave.
Në prill, Litvinenko pretendoi se ishte e nevojshme të niseshin sulme me dron thellë brenda territorit rus, për të ushtruar “presion” mbi Moskën. Ai e përshkroi këtë taktikë si një element kyç të strategjisë së Kievit.
Moska e ka akuzuar vazhdimisht Kievin për përdorimin e metodave terroriste gjatë gjithë konfliktit të vazhdueshëm midis dy fqinjëve. Muajin e kaluar, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se kërcënimet e Zelensky për të shkatërruar infrastrukturën civile ruse ishin provë e synimeve terroriste të qeverisë së tij.bw
Kremlini i ka quajtur përshkallëzim i rrezikshëm dhe i drejtpërdrejtë komentet e sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron, se Ukraina mund t’i përdorë armët britanike kundër caqeve brenda Rusisë, nëse dëshiron.
Të enjten, Cameron i premtoi Ukrainës 3.74 miliardë dollarë ndihmë vjetore ushtarake “sa të jetë e nevojshme”.
Gjatë një vizite në Kiev të enjten, ai theksoi po ashtu se Britania nuk është kundër që Ukraina t’i përdorë armët që ia dërgon Britania për sulme brenda Rusisë.
“Ukraina e gëzon atë të drejtë. Sikurse Rusia që po sulmon brenda Ukrainës, mund ta kuptoni lehtë pse Ukraina e ndien nevojën për t’u siguruar se po e mbron veten”, tha Cameron.
Në javët e fundit, Rusia e ka bombarduar pareshtur me dronë dhe raketa infrastrukturën energjetike të Ukrainës.
Komentet e Cameronit e bëjnë Britaninë të mbajë qëndrim më luftarak karshi Rusisë – së paku publikisht – sesa SHBA-ja, e cila thekson se armët me të cilat e furnizon Ukrainën duhet të përdoren vetëm brenda kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht, dhe jo kundër caqeve brenda territorit të Rusisë.
Ukraina thotë se i përdor dronët e vet dhe armë të tjera për të kryer sulme kundër caqeve brenda Rusisë, si për shembull, kundër rafinerive të naftës apo infrastrukturës hekurudhore.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i përshkroi komentet e Cameronit si të rrezikshme.
“Ky është përshkallëzim i drejtpërdrejtë i tensioneve në lidhje me konfliktin ukrainas, i cili ka mundësi të përbëjë rrezik për sigurinë evropiane, për tërë sigurinë evropiane”, tha Peskov.
“Këtu e shohim ne një trend të rrezikshëm të përshkallëzimit të tensioneve në deklarata publike”, shtoi ai.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se kjo është “hera e parë që një politikan perëndimor ka pranuar kaq haptazi një fshehtësi të njohur për kohë të gjatë për shumicën e vendeve të botës: Se Perëndimi po kryen luftë të fshehtë kundër Rusisë përmes ukrainasve”.
Rusia do të përgjigjet nëse Ukraina kryen sulme kundër territorit rus me armë britanike, shtoi ajo. REL
Skema e thjeshtëzuar dhe orbita e misionit Chang’e 6 (Wikipedia)
Kina ka lansuar një sondë për të mbledhur mostra nga pjesa e largët e Hënës. Kjo është sonda e parë që dërgohet për një mision të tillë në botë, përderisa Pekini po shtyn përpara programin ambicioz që synon të dërgojë një mision me ekuipazh në Hënë deri më 2030.
Një raketë që bartte sondën hënore Chang’e-6 u lëshua nga Qendra e Hapësirës, Wenchang në provincën Hainan më 3 maj.
Uashingtoni ka paralajmëruar se programi i Kinës po përdoret si mbulesë për synime ushtarake dhe është një përpjekje e Pekinit për të pasur një dominim në hapësirë.
Sonda Chang’e-6 synon të mbledhë rreth 2 kilogramë mostra hënore nga pjesa e largët e Hënës dhe t’i sjellë në Tokë për analizim.
Media shtetërore, Xinhua, tha se ky është “misioni i parë i këtij lloji në historinë e eksplorimit të Hënës nga njeriu”.
Ky mision, që teknikisht është i ndërlikuar, do të zgjasë për 53 ditë. Sonda do të tentojë të bëjë një nisje të paprecedent nga pjesa e Hënës që gjithmonë është kahen e kundërt me Tokën.
“I gjithë misioni është i mbushur me sfida të shumta”, tha për Xinhua zëvendësshefi i projektimit të këtij misioni, Wang Qiong.
Sonda pritet të zbarojë në Pellgun Aitken në polin jugor, që është një prej kratereve më të mëdha të ndikimit në sistemin diellor. Kur të arrijë atje, sonda do të mbledhë dhe hënor dhe shkëmbinj dhe do të kryejë eksperimente të tjera në zonën e zbarkimit.
Më pas sonda, me gjithë mostrat e marra do të niset nga Hëna për në Tokë. REL
Në një intervistë për BIRN, Antoinette Nikolova, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Ballkanike për Media të Lira, BFMI, paralajmëron se mediat dhe faqet e internetit që përhapin narrativa pro-Kremlinit dhe krijojnë mosmarrëveshje etnike në Ballkan po financohen përmes reklamave algoritmike nga marka të famshme perëndimore.
Nga Besar Likmeta, BIRN
Kur në gusht të vitit 2022, një mosmarrëveshje për targat e automjeteve u përshkallëzua midis Prishtinës dhe Beogradit, mediat në rajon që shpërndanin narrativa pro-Kremlinit e ekzagjeruan, duke pretenduar se në Kosovë kishin shpërthyer luftimet dhe se forcat serbe kishin hyrë në territorin e saj.
Krahas titujve që ekspertët i lidhën me një fushatë dezinformimi rus, Antoinette Nikolova – korrespondente me bazë në Bruksel dhe drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Ballkanike për Media të Lira (BFMI) vuri re se ishin postuar reklama nga marka të njohura perëndimore.
“Reklamuesit po blejnë hapësirë reklamimi nga bursat, hapësirë reklamimi nga agjenci ndërmjetësuese; ata nuk e dinë se ku po shkojnë reklamat e tyre”, tha Nikolova në një intervistë në ZOOM nga Brukseli, ndërsa shtoi se reklama nga reklamues të famshëm si Lidl ose Volvo tani po shfaqen në lajme që pretendojnë se lideri i opozitës ruse Alexei Navalny u vra nga CIA.
BMFI pohon se kjo është për shkak të mungesës së transparencës dhe llogaridhënies në zinxhirin e furnizimit të shërbimeve të reklamave digjitale, gjë që i bën ata jo vetëm të sigurojnë fonde për mediat që përhapin dezinformim, por edhe të legjitimojnë përmbajtjet e tyre të rreme.
“Nuk është mirë që reputacioni i kompanive të mëdha të lidhet me informacione të tilla”, tha Nikolova.
Një analizë e përbashkët nga NewsGuard dhe Comscore e botuar në vitin 2021, zbuloi se miliarda euro të ardhura nga reklamat dërgohen çdo vit drejt botuesve të keqinformimeve dhe dezinformimeve, përfshirë qindra miliona të ardhura që mbështesin pretendime të rreme shëndetësore, mite kundër vaksinave, dezinformime zgjedhore, propagandë dhe forma të tjera lajmesh të rreme.
Në një raport të botuar në dhjetor 2023, BFMI dhe organizata e pavarur e shoqërisë civile me qendër në Beograd, CRTA, zbuluan se markat globale që reklamonin në Ballkan po financonin faqe në Bullgari dhe Serbi që përhapnin dezinformim rus.
Në vitin 2024, më shumë se 60 vende do të mbajnë zgjedhje, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, superfuqinë më të madhe në botë, dhe dy konflikte të mëdha ushtarake në Evropë dhe Lindjen e Mesme kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë. Raporti i Rreziqeve Globale 2024 i prezantuar në konferencën e përvitshme të Davosit, njohu keqinformimin dhe dezinformimin si rrezikun më të madh afatshkurtër.
Më 26 prill, një grup ndërpartiak anëtarësh të Parlamentit Evropian u bëri thirrje markave globale që të ndalojnë reklamat në mediat që propagandojnë aktivisht dezinformimin pro-Kremlinit në Evropë përpara zgjedhjeve të ardhshme të BE-së, duke cituar raportin e BFMI-së.
Antoinette Nikolova, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Ballkanke për Media të Lira, BFMI.
Nikolova vuri në dukje Rusinë dhe Kinën midis fuqive të huaja që përhapin dezinformim në Ballkanin Perëndimor. Ajo vuri në dukje se disa vende në Ballkanin Perëndimor, si Bullgaria dhe Serbia, janë tradicionalisht afër Rusisë dhe mbajnë një marrëdhënie të ngushtë.
“Ata ndajnë një përkatësi gjuhësore dhe kristiano-ortodokse dhe kjo është shumë më e lehtë për Rusinë që t’i vendosë ata nën ndikimin e saj”, vuri në dukje ajo.
Megjithëse përpjekjet e Kinës për të ndikuar në rajon janë të krahasueshme me ato të Rusisë, Nikolova tha se Pekini është më pak agresiv se Kremlini.
“Për mendimin tim ata janë të fokusuar më shumë në përfitimet ekonomike”, tha ajo.
Nikolova vëren se narrativat anti-perëndimore në vende si Serbia, Bullgaria dhe Hungaria po përhapen shpesh nga agjencitë e lajmeve që kanë mungesë parash, të cilat, të përballura me mungesa buxhetore, nuk e përballojnë dot abonimin në burime perëndimore si Associated Press ose Reuters.
“Nëse dëshironi të citoni Associated Press ose Reuters për shembull, normalisht ju duhet një abonim, i cili është mjaft i shtrenjtë për shumicën e këtyre vendeve”, tha ajo. “Rusia po e ofron atë shërbim falas, madje Kina po paguan agjencitë shtetërore që të preventivat e tyre, për të përdorur informacionin e tyre”, nënvizoi Nikolva, ndërsa shtoi se kjo përkthehet në fuqi të butë.
Ajo vuri në dukje se deri dy vjet më parë një agjenci lajmesh në një vend ballkanas publikonte 40 lajme në ditë nga agjencia shtetërore kineze Xinhua.
“Ishte qesharake sepse mund të lexoje një raport në lidhje me Gjermaninë ose Brukselin, për shembull, jo nga dikush në Berlin apo Bruksel, por duke cituar një agjenci kineze”, shtoi ajo.
Korrespondentja veterane e huaj vëren se sot më shumë se 70 për qind e informacionit që njerëzit marrin vjen nga rrjetet sociale. Nikolova thekson se në Bullgari burimi kryesor i informacionit është Facebook dhe në vende të tjera ish-platforma Tëitter “X”. Ajo tha se ka pasur probleme me personat që moderojnë përmbajtjen e platformave të rrjeteve sociale, veçanërisht në Bullgari.
Për fat të mirë, vëren Nikolava, Direktiva e sapo miratuar e Aktit të Shërbimeve Digjitale e BE-së ka prezantuar kërkesa mbi platformat për sa i përket transparencës, llogaridhënies, zbatimit dhe aksesit të të dhënave për kërkuesit.
“Evropa është një lloj pioniereje në këtë”, tha ajo. “Megjithatë, nuk është e lehtë, sepse teknologjia po ecën më shpejt se njerëzit, organizata, rregulloret”, shtoi Nikolova.
Akti i Shërbimeve Digjitale është një direktivë e BE-së e miratuar në tetor 2022, që rregullon platformat dhe tregjet online, duke përfshirë rrjetet sociale, platformat e ndarjes së përmbajtjes, app store-t dhe platformat online të udhëtimit dhe akomodimit.
Sipas Komisionit Evropian, qëllimi kryesor i DSA-së është të parandalojë aktivitetet e paligjshme dhe të dëmshme në internet dhe përhapjen e dezinformatave, duke garantuar sigurinë e përdoruesve, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe krijimin e një mjedisi të drejtë dhe të hapur të platformës online.
Nikolova vëren se si pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të respektojnë parimet e sundimit të ligjit dhe standardet për lirinë e medias, duke përfshirë DSA-në.
“Akti i Shërbimeve Digjitale është një hap i madh, sepse do t’u kërkojë platformave të moderojnë përmbajtjen, të marrin vendime për reklamat, që është një problem i madh, dhe gjithashtu të trajtojnë algoritmet e tyre, si dhe të përmirësojnë mediat që ndjekin standardet profesionale”, parashikoi Nikolova.
BMFI pohon se luftimi i dezinformimit nuk është një detyrë e lehtë dhe kërkon adresimin e çështjeve strukturore që ndikojnë në lirinë e medias, duke përfshirë pronësinë, financimin dhe rregullimin e medias. Organizata argumenton se një mjedis informativ i shëndetshëm është i rëndësishëm për lirinë e medias.
Komentet