Fallxheshë Poezi nga Koçi Petriti
Flet ekskluzivsht për gazetën letrare “Nacional” shkrimtari dhe historiani i shquar
Letërsia si kujtesë, historia si përgjegjësi.Në një bisedë të gjerë për “Nacional”, Jusuf Buxhovi flet për marrëdhënien midis fiksionit dhe faktit historik, për rolin e intelektualit dhe për sfidat e identitetit shqiptar në kohën moderne
Në një bisedë të gjerë mbi krijimtarinë, kujtesën historike dhe identitetin shqiptar, autori ndalet në raportin midis fiksionit dhe dokumentit, rolin e intelektualit në shoqëri dhe sfidat e historiografisë bashkëkohore
Hyrja
Në diskursin bashkëkohor të letërsisë dhe historiografisë shqiptare, figura e Jusuf Buxhovit shfaqet si një ndër rastet më të artikuluara të ndërthurjes së dy paradigmave epistemologjike: asaj letrare dhe asaj historike. Si autor që operon njëkohësisht në hapësirën e krijimtarisë artistike dhe të kërkimit shkencor, Buxhovi përfaqëson një model të veçantë të intelektualit publik, ku narrativi estetik dhe analiza dokumentare ndërveprojnë në funksion të një rishikimi kritik të së kaluarës dhe të një konceptimi kompleks të identitetit kolektiv shqiptar.
Vepra e tij, e shtrirë në disa dekada dhe e artikuluar përmes një korpusi të gjerë romanesh, studimesh historike dhe shkrimesh publicistike, dëshmon për një qasje që tejkalon kufijtë tradicionalë të disiplinave, duke e zhvendosur diskursin nga një narrativë lineare e historisë drejt një strukture polifonike, ku memoria, dokumenti dhe imagjinata krijuese ndërtojnë një raport dialektik. Në këtë kontekst, letërsia nuk funksionon thjesht si reflektim estetik i realitetit, por si një formë e avancuar e njohjes, që problematizon dhe rikonfiguron të vërtetat historike, ndërsa historiografia, në leximin e tij, i nënshtrohet një procesi të vazhdueshëm rishqyrtimi kritik.
Intervista në vijim, e realizuar me rastin e një jubileu të rëndësishëm, 80-vjetorit të lindjes dhe mbi gjashtë dekadave të aktivitetit krijues, ofron një platformë reflektimi të thelluar mbi nyjet themelore të projektit të tij intelektual. Përmes një dialogu të strukturuar tematikisht, Buxhovi artikulon pikëpamjet e tij mbi raportin midis fiksionit dhe faktit historik, mbi rolin e memories kolektive në ndërtimin e identitetit, si dhe mbi tensionet midis angazhimit qytetar, politik dhe autonomisë krijuese.
Njëkohësisht, kjo bisedë hedh dritë mbi përvojën e tij si aktor dhe dëshmitar i proceseve kyçe historike të Kosovës, duke e pozicionuar rrëfimin personal në një kontekst më të gjerë socio-politik dhe kulturor. Në këtë kuptim, intervista nuk paraqet vetëm një retrospektivë biografike, por një tekst refleksiv me vlerë teorike, ku ndërthuren analiza, përvoja dhe vizioni, duke kontribuar në mënyrë të ndjeshme në debatin mbi rolin e intelektualit dhe funksionin e shkrimit në shoqëritë postkonfliktuale.
-Nacional: Duke u kthyer në fëmijërinë tuaj në Pejë, Gjakovë dhe Ponoshec, si do ta përshkruanit ndikimin e ambientit familjar dhe kulturës tradicionale në formimin e ndjeshmërisë suaj letrare?
-J. Buxhovi: Është fjala për një memorie identitare, në rrethanat e shtegtimeve “nga njëra çerdhe tek tjetra”, siç i përshkruante im Atë, transferimet nga shkolla në shkollë, gjithnjë me libër në dorë, në kërkim të dijes…
–Nacional: Çfarë roli kanë luajtur prindërit dhe sidomos gjyshërit në transmetimin e kujtesës historike dhe etnopsikologjike që më pas reflektohet në veprën tuaj?
-J. Buxhovi: Në fëmijërinë time, ambienti familjar por edhe ai gjeografik (Peja, Gjakova dhe veçmas Ponosheci) kanë rol vendimtar në formimin e ndjeshmërisë letrare, meqë im At, normalist i Elbasanit, ishte mësues veteran që luftonte për dijen me abetare. Dija me abetare, doemos tërhiqte me vete edhe librin, sado të paktë në ato rrethana, si një dritare drejt dijës, drejt lirisë, që njëherësh lidhej edhe me krijimin imagjinar, (fillimisht të vjershave për fëmijë, mandej kah ato për të rritur e deri te proza), pra me letërsinë… Dashurinë për letërsinë e mora nga përrallat e gjyshes, nga vjershat që im Atë që na i lexonte dhe kultura e thellë e tij për letërsinë… Nga fabulat dhe trashëgimia gojore, njoha thellësinë historike të një kulture të lashtë, të ruajtur, e që, në rrethanat e reja, i duhej implementimi krijues për t’u kthyer në kujtesë historike, që mund ta bëjë vetëm letërsia, pra arti dhe krijimtaria. “Iliada” e famshme, pasqyron më së miri dimensionin e fuqisë së krijimtarisë kur një fakt historik kthehet në fakt jetësor, në monument të përhershëm, që nuk i nënshtrohet vlerësimeve dhe rivlerësimeve deri te zhvlerësimet dhe rishkrimet, siç ndodh me atë historik…
-Nacional: A mund të identifikoni një moment të hershëm kur fjala, rrëfimi apo libri u shndërruan në një thirrje ekzistenciale për ju?
-J. Buxhovi: Nga momentet e hershme, që më kanë drejtuar kah letërsia, gjithsesi do të veçoja “Lulet e Verës” të Naimit që na i lexonte im atë në vitet e pesëdhjeta thuajse fshehurazi, pastaj poezitë e para që u botuan në Kosovën e asaj kohe: “Nji fyell ndër male”dhe “Kanga e vrrinit” të Martin Camajt si dhe proza “Lugjet e verdha” të Rexhep Hoxhës. Pra, këto dy vëllime me poezi si dhe proza e Rexhep Hoxhës, asaj “jam” ia dhanë dimensionin ekzistencial “unë jam” …
-Nacional: Shkolla e mesme në Gjakovë përkon me një periudhë të rëndësishme të formimit tuaj. Si e kujtoni klimën kulturore dhe intelektuale të asaj kohe?
-J. Buxhovi: Shkollimi i mesëm në Gjakovë në vitet 1960-1964, shënon fazën më të rëndësishme të rrugëtimit tim kah vetëdijesimi kulturor, ai intelektual, e mbi të gjitha drejtimin përfundimtar kah krijimtaria letrare. Asokohe në Gjakovë, në një ambient me traditë kulturore ndër më të rëndësishmet e gjeografisë shpirtërore shqiptare, po edhe të identitetit kulturor dhe historik, në rrethanat kur realitetet e kufirit londinez, ato që nga viti 1945 kur Kosova si entitetit politik rajonal i mbeti Serbisë, me çka Gjakova pa Malësinë e Gjakovës ( gjithë Veriu deri në Shkodër mbeti pa trungun etnik), ndërsa Malësia e Gjakovës, mbeti pa qendrën e vet kulturore, historike dhe ekonomike, pra në ato rrethana, bëhej përpjekje që këputja e trungut, të përballohej përmes arsimit, kulturës, krijimtarisë. Gjenerata e veteranëve të arsimit të pasluftës në Gjakovë, me shkollën normale “Gjon Nikollë Kazazi” që në vitin 1951 u zhvendos për qëllime politike në Prizren, kur iu hoq emri, ndërsa në vitin 1953 u vendos përfundimisht në Prishtinë me emërtimin Shkolla Normale “Milladin Popoviqi”, duhej të shprishej disi. Kësaj i ndihmuan edhe deportimet për në Shqipëri të bartësve të këtij emancipimi arsimor dhe kulturor: Selman Rizës, Zekeria Rexhës dhe të tjerëve si dhe mbajtjes “peng” të disa figurave kulturore dhe politike nga Gjakova në Beograd: shkrimtarit Sitki Imami, autor i librit të parë me tregime në letërsinë shqipe të Kosovës (“Drejt ditëve të reja”) 1951, Mehet Hoxhës e të tjerëve. Por, boshëllëku i krijuar nga këto veprime, zu të mbushet me krijuesit asokohe të rinj: Rexhep Hoxha, Besim Bokshi, Din Mehmeti, Ali Musaj, Murteza Nura e deri te Ali Podrimja. Në Gjakovë, midis viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta do të lind brezi i ri i shkrimtarëve të tubuar rreth klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi”: Teki Dërvishi, Esad Cërmjani, Sefedin Fetiu, Nexhmedin Soba, ku bëja pjesë edhe unë. Natyrisht se në këtë brez, më i njohuri, më dinamiku dhe i gjithanshmi (poezi, prozë, drama) mbetej Teki Dërvishi, padyshim njëri ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe në përgjithësi, veçmas si dramaturg me veprën monumentale “Bregu i Pikëllimit”. Ky brez krijuesish do t’i sjellin frymë të re klimës letrare dhe intelektuale në Gjakovë.
–Nacional: Studimet në Universiteti i Prishtinës për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, e më pas për Histori, si ndikuan në ndërtimin e dyfishtë të identitetit tuaj si shkrimtar dhe historian?
-J. Buxhovi: Brezi ynë i shkrimtarëve në Gjakova i viteve të gjashtëdhjeta, thuajse në tërësi, pas shkollimit të mesëm u drejtua kah gjuha dhe letërsia, në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Kjo ishte thuajse pjesë e traditës letrare-intelektuale e brezit të pasluftës dhe atij paraprak, nga Rexhep Hoxha, Enver Gjerqeku, Hilmi Agani, Besim Bokshi, Din Mehmeti e deri te Ali Podrimja, studiuan gjuhën dhe letërsinë, meqë ajo merrej si parakusht për formimin e mëtutjeshëm letrar. Këtë rrugë ndoqa edhe unë. Në vitin 1964, u regjistrova në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në katedrën për gjuhë dhe letërsi. Po atë vite, në gjeneratën e tretë të gjuhës dhe letërsisë, u regjistruan edhe shumë nga shkrimtarët që do të bëjnë emra në letërsinë shqipe: Ymer Shkreli, Gani Bobi, Vehbi Kikaj, Ibrahim Kadriu. Ishte një rrethanë tjetër fatlume, meqë pas Plenumit të Brioneve në korrik 1966 kur ra Rankoviqi, studimet e letërsisë dhe gjuhës shqipe morën një hov të madh, siç mori hov edhe veprimtaria botuese në gjuhën shqipe në kuadër të “Rilindjes”. Gjenerata jonë, që pos shkrimeve letrare merreshim nga pak edhe me gazetari, një ditë, thuajse të gjithë u gjendem si gazetarë të “Rilindjes”. Kjo ndodhi në vitin 1967 kur në rubrikën e kulturës së “Rilindjes”, me nismën e redaktorit Vehap Shita (kritik i teatrit dhe përkthyes nga serbishtja ndër më të vyeshmit i veprave të autorëve jugosllavë po edhe botëror të përkthyer në këtë gjuhë), u bëmë bashkë: Ymer Shkreli, Gani Bobi, e mbas një viti: Ibrahim Kadriu, Eqrem Basha, Mensur Raifi, Sylë Osmanaj, Musa Ramadani, pak më vonë edhe Mehmet Kraja, Mahamedin Kullashi dhe së voni edhe Jusuf Gërvalla. Por, ajo që kishte rëndësi, ka të bëjë me atë se krahas redaktorit të kulturës, Vehap Shita, aty ishin edhe pendat më të rëndësishme të letërsisë shqipe: Anton Pashku, ndihmës redaktor i kulturës, Fahredin Gunga gazetar i arsimit, Ali Podrimja – lektor.
Gjatë studimeve të letërsisë, te unë lindi kërshëria edhe për historinë. Veçmas kur studimi i saj, pas rënies së Rankoviqit, nuk ishte më “detyrë partiake”, por profesion i lirë hulumtues. Asokohe, me nxitjen e akademik Ali Hadrit, që në shkrimet e mia publicistike dhe letrare kishte hetuar prirjen për histori, në katedrën e historisë, vazhdova studimet postdiplomike në temën e magjistraturës “Lidhja shqiptare në dokumentet gjermane”, që e realizova në vitin 1979, pasi që asokohe isha korrespodent i përhershëm i “Rilindjes” në Bon të Gjermanisë. Atje, pata mundësitë të futem në Arkivin Politik të Ministrisë së jashtme gjermane ku gjendeshin dokumentet e Kongresit të Berlinit të mbajtur në Berlin nga 13 qershori deri 20 korrik 1878. Hulumtimet në arkivin e Bonit, e më vonë dhe në atë të Berlinit, Manjcit, Mynhenit e të tjerë, më lidhën me historiografinë, binar ky që u ndërthur ngushtë me krijimtarinë time letrare, meqë përmes saj, faktet historike, i ktheja në aso jetësore, gjë që vepra ime letrare (proza dhe drama) është e lidhur ngushtë me komponentin e historisë si kujtesë identitare dhe ekzistenciale…
– Gazeta Nacional: Demonstratat e vitit 1968, 1981, 1989 në Prishtinë dhe pastaj lufta e UCK-se 1998-1999, përbëjnë momentet kyçe në historinë moderne të Kosovës. Si i përjetuat ato në plan personal dhe çfarë gjurmësh lanë në vetëdijen tuaj krijuese dhe qytetare?
-J. Buxhovi: Demonstratat e vitit 1969, siç i vlerësoj në veprën time historiografike “Kosova” në tetë vëllime dhe “Kosova histori e shkurtër”, janë historike, dhe paraqesin atë kthesën më të rëndësishme të emancipimit shoqëror-politik të Kosovës, drejt barazisë dhe ngritjes së saj në subjekt të federatës jugosllave (me amendamentet kushtetuese të vitit 1968 dhe kushtetutën e vitit 1974). Këto demonstrata, si historike, me kërkesën për Republikën e Kosovës, pra për barazi në federatën jugosllave, paraqesin atë kthesën e madhe, ku bëhet shkëputja midis lëvizjeve ilegale me platformë të irredentizmi ideologjik të filluar nga viti 1958 me grupin e Kadri Halimit e të tjerëve për të vazhduar mandej me Demaçin i cili për herë të parë, në vitin 1963, doli me një program për bashkim revolucionar me Shqipërinë, për ç’gjë u dënua tri herë me burgim prej 28 vitesh. Demonstratat e vitit 1981 dinamizuan kërkesën për Republikën e Kosovës, që u pranua edhe nga grupet ilegale me platformë ideologjike. Shfaqja e këtyre demonstratave, në rrethanat pas vdekjes së Titos, lidhej kryekëput me konceptin hegjemonist serb që Jugosllavia e Titos të kthej në Serbollavi, siç veproi Millosheviqi. Kosova ishte shkas dhe fushëbetejë e paralajmëruar qysh nga Qosiqi në vitin 1968 dhe “Libri i Kaltër” në vitin 1979. Ishin edhe shumë faktorë të tjerë të jashtëm, veçmas ai sovjetik në përputhje me doktrinën mbi sovranitetit të kufizuar të Hrushqovit, e aktualizuar edhe nga Brezhjevi, që nxitin intervenimin ushtarak sovjetik në Hungari në vitin 1955 dhe atë Çekosllovaki në gusht 1968. Por, ishte edhe vetë faktori intelektual shqiptar, që e dinte se pas Titos, duhej shfaqur me këtë kërkesë për t’u mbrojtur nga hegjemonizmi serb. Ndërsa viti 1989, kur u rrënua autonomi e Kosovës nga Serbia më 23 mars 1989, me tanke, u përjetua si ripushtim i tretë i Kosovës nga Serbia, gjë që hapi kutin e Pandarës të reagimit shqiptar nga demonstrata e përgjakshme të marsit-prill, që mandej, u përcollën me reagimin e shkrimtarëve dhe intelektualeve, që të marrin përgjegjësinë politike me të cilën i ngarkonte historia në ato rrethana, siç ishte themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989. Këtij brezi i kam takuar, si bashkëthemelues i LDK-së dhe pjesëmarrës i zhvillimeve që çuan te projekti i rezistencës institucionale-paqësore me shtetin paralel nga viti 1992-1999, që ia hapi rrugën protektoratit ndërkombëtar dhe në vitin 2008 pavarësisë së Kosovës. Rezistenca institucionale me shtetin paralel kishte edhe projektin e rezistencës së armatosur në përputhje me rrethanat dhe veçmas në bashkëveprim me aleatët amerikanë, që sugjeronin dy linja paralele: atë të politikës pa luftë (shtetin paralel) dhe të luftës pa politikë, kur do të vinte koha për të në përputhje me planet amerikane dhe të NATO-s siç ndodhi me ultima ration nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999. Nga ky këndvështrim, dalja në skenë e UÇK-së në nëntor 1997, ishte pjesë e këtij projekti, pra e rezistencës së përgjithshme, gjë që UÇK krijoi rrethana që lufta e deriatëhershme diplomatike të kthehet në diplomaci të luftës me çka u krijuan rrethanat edhe për ndërhyrjen e armatosur të NATO-s, ndonëse me pretekste humanitare.
III. Gazetaria si shkollë e realitetit
-Gazeta Nacional: Fillimet tuaja në gazetën Rilindja përkojnë me një periudhë dinamike. Në ç‘mënyrë gazetaria ka ndikuar në stilin tuaj letrar: a e ka disiplinuar rrëfimin apo e ka bërë më të ndjeshëm ndaj realitetit konkret?
-J. Buxhovi: Siç thash, fillimet e punës në gazetari, anë “Rilindje”, përkojnë me një kohë të kthesave historike, që ndodhen pas Plenumit të Brioneve të vitit 1966, kur Kosova, e liruar nga presioni i Serbisë, u fut në një zhvillim të hovshëm të emancipimit kulturor po e dhe politik drejt shkëputjes nga Serbia dhe lidhjes me federatën jugosllave, si njësi e barabartë me tetëshen, siç ndodhi nga viti 1968 dhe me kushtetutën e vitit 1974 kur kjo komponentë fitoi dimensionin kushtetues. Në këto rrethana, të punojë si gazetar kërkonte përgjegjësi profesionale, por njëherësh paraqiste edhe një mundësi të madhe për të ndikuar rrjedhat kulturore dhe ato politike të kohës. Gazetaria, për krijuesin, krahas faktorit dinamikë, si pozitiv, paraqet edhe rrezik, që të humbet baraspesha midis ngjarjes si aktualitet dhe ngjarjes si përpunim imagjinate. Kujtoj se ia kam dalë që ta mbaj larg këtë “rrezik”.
-Gazeta Nacional: Si korrespondent i “Rilindjes” në Gjermani për më shumë se dy dekada, si e përjetuat distancën midis realitetit perëndimor dhe atij ballkanik, dhe si reflektohet kjo në veprën tuaj?
-J. Buxhovi: Kam pasë fatin që të jem korrespondent i parë i “Rilindjes” në Europë, me qendër në Gjermani (Bon). Duhet theksuar me këtë rast, se nga viti 1968, “Rilindja” tashmë me mision kulturor, por edhe diplomatik dhe politik, në kuadër të identitetit institucional të Kosovës si njësi federative, vendosi të hapë korrespodenturat në botë, siç kishte “Politika” e Beogradit, “Vjesniku” i Zagrebit, “Delo” e Lubjanës dhe “Oslobogjenje” e Sarajevës. Korrespodentura e parë e “Rilindjes” në jashtë u hap në Liban, meqë atëherë Jugosllavia si liderë Botës së tretë (të të painkuadruarve) paraqiste një interes të caktuar. Gazetari ynë atje, Nehat Islami, krahas punës gazetareske, bëri punë të mirë në hulumtimin e rolit të shqiptarëve në atë pjesë gjatë Perandorisë Osmane, ku kishte shumë guvernatorë shqiptar, i fundit Vaso Pasha. Shkuarja ime në Bon, po ashtu kishte si mision studimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në dokumentet gjermane, ku edhe magjistrova në vitin 1979, por në përgjithësi të lidhjeve historike dhe kulturore gjermano-shqiptare, ku studiuesit gjermanë nga shekulli XVIII e këndej, me Xylanderin, Laibnicin, Hahnin e deri te Gustav Majeri i vunë bazat shkencës së albanologjisë. Gjatë qëndrimit të parë në Gjermani, solla shumë fejtone rreth këtyre pikëpjekjeve kulturore dhe historike. Fejtoni, në njëzet vazhdime, për 100 vjetorin e Kongresit të Berlinit, bëri jehonë të madhe, saqë edhe shtypi jugosllav i kohës, shumë pjesë i barti. Po ashtu, edhe disa gazeta gjermane shënuan këtë fejtoni. Edhe fejtoni për Princ Vidin, ai për Arnold von Harfin dhe fjalorin gjermanisht-shqip prej 50 fjalësh nga viti 1496, po ashtu u ndoqën me interesim të madh. Në vitin 1979, Shoqata e Gazetarëve të huaj në Bon, me nderoi me çmimin vjetor. Dhe, po ashtu, mirënjohje mora edhe nga Ministria e jashtme gjermane për “mirëkuptim midis popujve”.
Gjatë qëndrimit si korrespodent në gjermani, krahas takimeve, bisedave dhe intervistave me politikanët më të njohur, ndër ta me kancelarët: V. Brantin, H. Shmitin, H. Kolin, G. Shroderiun dhe A. Merkelin; mandej me politikanët shumë të rëndësishëm: Shtrausin, Horst Emken, Egon Barin e deri te Joshka Fisherin e të tjerë; takime të shumta edhe me botën kulturore, nga shkrimtarët nobelistë: H. Bëll, G. Gras, regjisorët dhe artistët e njohur: R. Fasbender, Hercog, Shrëndorf, H. Shegulla e të tjerë, e deri te sportistët me famë botërore, F. Bekenbauer, G. Myller, që kishin luajtur edhe ndeshjet historike me Shqipërinë në Tiranë kur luajtën baras. Këto lidhje vazhduan gjatë gjithë kohës sa qëndrova atje (deri në vitin 2008), të cilat, në rrethanat kritike, siç ishin ato nga viti 1990-1999, i shërbyen njohjes së opinionit gjerman dhe atij politik me çështjen e Kosovës, për ç’gjë , shumë nga politikanë e njohur gjermanë, intelektualët dhe krijuesit e rëndësishëm (G. Gras, filozofi Habermas e të tjerë) mbështetën edhe ndërhyrjen e armatosur të NATO-s për ta parandaluar gjenocidin dhe etnocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës.
-Gazeta Nacional: Në veprën tuaj vërehet një ndërthurje e vazhdueshme midis diskursit letrar dhe atij historiografik. Si e konceptoni raportin epistemologjik midis fiksionit dhe së vërtetës historike: si tension, si simbiozë apo si dekonstruksion i narrativave dominante?
-J. Buxhovi: Historiografia dhe letërsia kanë të përbashkët ngjarjen, por me ndryshime të papajtueshme: meqë historiografia e paraqet atë përmes fakteve, që mbesin të diskutueshme përherë nga ndjeshmëria e interpretimit, jo rrallë në përputhje me diktatin e dogmës ideologjike dhe religjioze, që kërkon rishqyrtim dhe rishkrim madje. Ndërsa letërsia (krijimtaria në përgjithësi), ngjarjet i paraqet si kujtesë. Ky raport, i ka krijuar dhe i krijon letërsisë (krijimtarisë) përparësi të madhe ndaj historiografisë së lëndueshme nga pushteti i të fortit, ideologjia dhe religjioni. Meqë kujtesa letrare është njëherësh edhe vetëdije historike, që i qëndron kohës dhe kthehet madje në monument të përhershëm, siç ndodh me “Iliadën”, me shumë e shumë vepra të artit dhe të kulturës, nga të cilat mësohet historia. Ndaj, nuk është e rastit kur thuhet se monumentet që i krijon arti dhe krijimtaria janë të përhershme, ndërsa ato historike, të përkohshme dhe të rrënueshme madje, siç është rasti me monumentet grandioze të Stalinit, Enverit dhe diktatorëve të tjerë që u rrënuan sapo ra diktati ideologjik që i kishte krijuar…
Për t’i ilustruar këto raporte midis fuqisë së faktit krijues dhe atij dokumentues, si të paqëndrueshëm, që e ka historia, mund të na shërbejnë konceptet filozofike, në njërën anë ai i I. Kantit “Das Ding an sich” ( “Gjëja në vetvete”) që lidhet me arsyen e krijuar nga brenda, vetvetja dhe në tjetrën anë, te ai i Hajdegerit: (“Sein und Zeit” – “Qenia dhe Koha”) si koncept i “Dasein-it”, ku determinohet qenia përgjatë kohës historike…
-Nacional: Duke qenë se keni punuar mbi arkiva gjermane dhe dokumente historike, deri në ç’masë mund të flasim për një “poetikë të dokumentit” në romanet tuaja, ku fakti historik shndërrohet në materie estetike?
-J. Buxhovi: Kjo është pjesë e konceptit tim krijues, që fakti historik të kthehet në materie estetike, që t’i takojë kujtesës…
Nacional: A mendoni se romani historik shqiptar ende mbetet i lidhur me paradigmën romantike të shekullit XIX, apo vepra juaj synon një rishkrim postmodern të historisë?
-J. Buxhovi: Në letërsinë tonë, hiq veprën e M. Barletit “Histori e Skënderbeut” nga shekulli XV, nuk kemi roman të mirëfilltë historik. Madje as romani “Ali Pashë Tepelena”, i Sabri Godos, i vlerësuar si i tillë, nuk i përmbushë këto kritere. As veprat e mia, si “Shënimet e Gjon Nipollë Kazazit”, “Libri i të mallkuarve”, “Dosja B”, trilogjia “Prapë vdekja”, “Letra për Krye princin” e të tjera, me personazhe historikë dhe ngjarje historike, ndonëse shpesh vlerësohen si “pjesë e historisë”, në disa aspekte, mund të thuhet që synojnë rishkrim post modern të historisë, si letërsi.
-Gazeta Nacional: Në ciklin monumental “Kosova” dhe në romanet si “Libri i të mallkuarve” apo “Prapë vdekja”, historia shfaqet si një traumë e përsëritur. Si e trajtoni konceptin e memories kolektive në raport me traumën historike?
-J. Baxhove: Ciklin “Kosova” dhe “Librin e të mallkuarve”, që Ju përmendni, duhet parë si binom raportesh të fakteve dhe të kujtesës, ku ato kundërshtohen dhe plotësohen, gjithnjë me përparësitë e krijimtarisë, meqë ajo është në gjendje që memories kolektive t’ia diferencoje faktet nga ngjarjet, që edhe përsëritën deri te përmasat e traumave…
-Nacional: A mund të thuhet se tek ju identiteti shqiptar ndërtohet si një tekst i hapur, në kuptimin e Umberto Eco, apo si një strukturë e qëndrueshme e kodifikuar në histori?
-J. Buxhovi: Kujtoj se kjo më shumë lidhet me atë vlerësimin e Ecos rreth strukturës së qëndrueshme e kodifikuar, jo gjithaq në histori, por përmes historisë…
-Nacional: Në ç ‘mënyrë personazhet tuaja funksionojnë si bartës të ndërgjegjes historike dhe njëkohësisht si figura ekzistenciale që tejkalojnë kohën konkrete?
-J. Baxhove: Ndërgjegjja historike është pjesë e kujtesës historike. Ato janë të ndërlidhura. Letërsia i diferencon përmes trajtimit imagjinativ…
-Nacional: Në romanet tuaja vërehen struktura të fragmentuara, ndërprerje kronologjike dhe një përdorim i theksuar i ndërtekstualitetit. Sa është kjo një zgjedhje estetike dhe sa një domosdoshmëri për të reflektuar kaosin historik shqiptar?
-J. Buxhovi: Kjo ka të bëjë me raportin që shkrimtari ka ndaj faktit si dhe interpretimin që ia bën përmes imagjinatës. Natyrisht, se ku perceptim, nuk përjashton mundësinë që të nxjerr në pah kaosin historik shqiptar, si ngjarje, që lidhet me kujtesën…
-Nacional: Në ç ‘mënyrë dramat dhe proza juaj ndërveprojnë? A ka një ndikim të dramaturgjisë në ndërtimin e tensionit narrativ në romanet tuaja?
-J. Buxhovi: Proza, te unë, sikur nuk njeh kufijtë tradicional, që ato i ndajnë. Përkundrazi, ato thyhen edhe te “Libri i të mallkuarve”, pjesa e tretë “Njëqind vjet pushtet” dhe të “Dushkaja”, që mund të merren edhe monologje dramatik…
VII. Historiografia si akt interpretimi
-Nacional: Si historian, ju keni trajtuar ngjarje kyçe si Kongresi i Berlinit 1878. Si e shihni rolin e historiografisë shqiptare sot: si rishkrim kritik apo si vazhdim i narrativave ideologjike?
-J.Buxhovi: Historiografia institucionale shqiptare vazhdon narrativat ideologjike të ngatërruara naivisht edhe me gjuhën e eufemizmave, kur bëhet fjalë për ngjarje tejet të ideologjizuara, siç janë ato të majit-dhjetorit 1924, si puçe dhe kund puce të ndërsjella, të cilat mbesin pezull, por më afër dogmës ideologjike, nga narrativja se ishte fjala për revolucion demokratike dhe në anën tjetër për kundërrevolucion me ndihmën e Beogradit! Me këtë rast anashkalohet fakti tepër i thjeshtë se nuk mund të ketë “revolucion demokratik”! Revolucioni dihet se çfarë paraqet, përmbysjen e gjendjeve me dhunë dhe assesi demokracinë! Ka edhe shumë e shumë marifete të ngjashme tek historia institucionale në Tiranë dhe Prishtinë, ku, në emër të disa demistifikimeve, siç është rasti me Skënderbeun, kalohet në mohime dhe shtrembërime të rënda historike, të ngjashme me narrativen e historiografisë serbe, dogma e së cilës mban peng në tërësi historiografinë institucionale në Tiranë dhe Prishtinë me të ashtuquajturën mbretëri serbe nga mesjeta, të identifikuar me dinastinë Nemanjane dhe me gjoja autoqefalinë e kishës ortodokse serbe nga shekulli XIII, kur dihet se as njëra as tjera nuk kanë mbështetje historike, veçmas identifikimi i Rashës me shtetin mesjetar serb, si një dinasti feudale e pavarur në kohën e procesit të shembjes së Bizantin, që kudo historiografia objektive e cilëson si Rasha, Rasien, Rasia dhe askund si shtet mesjetar serb. Madje, tek perandorët bizantin, Porfyrogenti dhe Kantakuzeni dhe te shumë kronikë të kohës Rasha quhet Tribalia, ndërsa rasianët – tribalë, të lidhur me mbretërinë antike tribale, që Herodoti e quan ilire. Ngjashëm ndodh edhe me autoqefalinë e kishës ortodokse serbe, gjoja nga mesjeta, kur dihet se autoqeflia ka ndodhur në vitin 1923, me bashkimin e katër mitropolive (Beogradit, Sremit, Malit të Zi dhe Pejës). Kjo na ka sjellë edhe Pakon e Ahtisarit me të cilën Serbisë i janë dhënë “tapitë historike dhe shpirtërore”, që shtetin e Kosovës e hendikepojnë shumanshëm dhe do ta vazhdojnë edhe tutje…
-Gazeta Nacional: A ekziston rreziku që historiografia të instrumentalizohet politikisht, dhe si mund të ruhet integriteti shkencor në një kontekst ballkanik shpesh të politizuar?
J-. Buxhovi: shembullin më të mirë për instrumentalizimin e historiografisë duhet kërkuar te shkolla sllaviste e Vjenës e shekullit XIX, kur shqiptarët paraqiten nëpër histori të huaja (serbëve, turqve, bullgarëve etj.) dhe jo te fakti se ata janë popull antik, se kishin mbretëritë kryesore në antikitet (Maqedoninë, Dardaninë, Epirin). Kjo metodë e arnimit, është ndjekur edhe për gjuhën shqipe (me huazime të shumta) dhe po ndiqet edhe nga historiografia institucionale në Prishtinë dhe Tiranë. Shembulli më eklatant i kësaj ecurie u pa së voni me “Historinë e Kosovës”, volumi parë i botuara nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” i Prishtinës, që nuk është tjetër pos një kopje e koncepteve të historiografisë serbe, ku Kosova shihet shtëpi me tapi serbe! Aty u bëhet jehonë mashtrimeve të S. Novakoviqit të shfaqura në “Zakonik Cara Dušana od 1453” (Kanunin e perandorit serb, Stefan Dushani nga viti 1453), tekst ky që vet autori e pranon se nuk është nga shekulli XV, por i arnuar në shekullin XIX nga disa shënime te një mësuesi serb nga Prizreni dhe një prifti rus, të cilat po ashtu arnohen me 16 versione të ndryshme të mbledhura gjoja nëpër manastiret ortodokse serbe në Kosovë dhe Maqedoni, për ç’gjë këtij libri iu mor kredibiliteti nga Universiteti i Harvardit dhe qarqet tjera akademike botërore bashkë me katër vëllimet e Akademisë së Shkencave të Jugosllavisë “Istoria naroda Jugoslavie u bizantnskim izvorima”, ku burimet bizantine për Rashën Tribale dhe Tribalët, konvertohen në “Serbi mesjetare” dhe Tribalët në “serb” dhe falsifikime të tjera të burimeve bizantine, osmane dhe ruse madje! Kam reaguar rreth këtij rasti, por kanë munguar reagimet e historianëve “të pavarur” nga Kosova dhe Shqipëria, edhe pse libri, si duket, është tërhequr nën trysninë e disa historianëve brenda Institutit të pakënaqur me këtë diskurs serb si dhe të disa qarqeve nga jashtë , që kanë konsideruar se libri mund t’i shërbente Serbisë për pretendimet hegjemoniste ndaj Kosovës!
-Nacional: Në veprat tuaja historike, a synoni të krijoni një “kundër-histori” ndaj narrativave zyrtare ndërkombëtare për Kosovën?
-J. Buxhovi: Nëse shikohet teksti prej njëzet e sa rreshtave të deklaratës së pavarësisë, del se Kosova është shtet pa histori, një trung pa rrënjë. Ky ka qenë çmim që ndërkombëtarët kanë kërkuar për shpalljen e pavarësisë, që edhe mund të arsyetohet karshi qëllimit madhor. Por, si historian i pavarur, me “Kosovën” në tetë vëllime, “Maqedoninë”, “Dardaninë”, të përkthyera edhe në anglisht nga botuesi amerikan “Jalifat Publishing”dhe “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e 1878”, kam synuar shkrimin objektiv të historisë së Kosovës si pjesë e historisë së Shqipërisë nga antikiteti, ku mbretëria e Dardanisë është bartëse e këtij identiteti historik. Po ashtu, kam synuar që certifikata historike e shtetit të Kosovës, të nxjerrët jashtë narratives së pragmatizmit politik të kohës, jashtë narratives ideologjike dhe diktatit të historiografisë serbe, gjë që kjo është përcjellë me reagime të ashpra, por të pritshme nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve nga Beogradi , po me reagime të pa pritshme nga mediumet tona dhe veçmas nga disa “akademikë” të Prishtinës, që janë munduar ta diskreditojnë veprën prej pesë mijë e treqind faqesh fillimisht në tri vëllime, mandej në pesë për t’u përmbyllur me tetë vëllime në vitin 2017, deri aty sa ta quajnë “edhe projekt të Serbisë”! Ndërkohë që në Serbi i madh e i vogël ulërinte kundër librit, që shtetin e Kosovës e paraqiste me histori të thellë nga antikiteti e jo pjesë e “mbretërisë” imagjinare mesjetare serbe! Reagimet e tilla nga Prishtina, mund të shpjegohen me atë se “akademikët” e Prishtinës si dhe historianët nga Instituti i Historisë dhe ai Albanologjik pa përjashtuar këtu edhe shumë prej tyre nga katedrat e universitetit, me mendësi ideologjike dhe partiake, kanë qenë xheloz, meqë vetë nuk kanë përmbushur një detyrim që të shkruajnë historinë e shtetit të Kosovës, e as t’i kundërvihen propagandës së egër politike të Beogradit për ta paraqitur Kosovën qendër të saj kulturore dhe historike mesjetare, për ç’gjë paguhen mirë e mirë nga shteti ynë i varfër, me të cilën do të legjitimohej ndërkombëtarisht edhe pavarësia e saj. Andaj, sulmi ka qenë mbrojtja më e mirë e tyre, por pse ka shkuar kjo në dëm të historiografisë sonë, të tillët nuk kanë çarë kokën për pasojat. Natyrisht se këtij diskursi kundër “Kosovës” në tetë vëllime i ka ndihmuar edhe një pjesë e politikanëve të Kosovës nga mendësia politike se shteti i Kosovës është i përkohshëm, se duhet refuzuar në emër të bashkimit kombëtar dhe broçkulla të ngjashme, që u panë edhe nga pazaret e nisura me Serbinë për shkëmbim territoresh, që u penguan nga Amerikanët në çastin e fundit! Por, këto anomali, u hoqën shpejt, në saje të popullarizimit të madhe të veprës, që brenda një viti pati gjashtë ribotime me një tirazh “astronomik” prej 50 mijë ekzemplarësh si dhe përkthimi i saj në anglisht në SHBA nga botuesi amerikan “Jalifat Publishing”, që arriti për pak kohë të depërtojë në institutet dhe universitetet më prestigjioze amerikane deri te ai i Harvardit, ku edhe fitoi edhe statusin e literaturës alternative për historinë e Evropës Juglindore. Ndërsa, unë u pranova edhe në Shoqatën Amerikane të Historianëve, ndër më të njohurën në botë. Ky zhvillim ndikoi që libri të pranohet dhe të promovohet në shumë universitete dhe akademi europiane dhe atë të Turqisë, si dhe ato rajonale, nga Akademia e Shkencave të Sllovenisë, e Kroacisë dhe e Malit të Zi. Së voni pati edhe dy promovim në Tiranë në Akademinë e Shkencave dhe në Muzeun Kombëtar të Historisë. Pra, “Kosova” sot paraqet certifikate të historisë së shtetit të Kosovës, të pranuar në shumë qendra akademike dhe universitare botërore, pos në Kosovë!
VIII. Angazhimi politik dhe historik
-Gazeta Nacional: Si një nga themeluesit e Lidhja Demokratike e Kosovës, përkrah Ibrahim Rugovës, si e shihni sot atë periudhë të organizimit politik dhe filozofinë e rezistencës paqësore?
-J. Buxhovi: Me pak fjalë, do ta vlerësoja si një përgjigje që brezin tonë intelektual historia e ngarkoi me përgjegjësi politike, që ajo e kreu si mision në dy binarë paralel historik: në atë të rrënimit të komunizmit dhe në atë të shtetndërtimit të Kosovës përmes rezistencës aktive paqësore (Shtetin paralel nga 1992-1999), që ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës midis aleatëve perëndimorë, të cilët u vunë në anën e kauzës së saj përmes armëve si dhe protektorati ndërkombëtar të kthehet në pavarësi në vitin 2008…
-Gazeta Nacional: Lufta e Ushtria Çlirimtare e Kosovës shënoi një kthesë të madhe historike. Si e analizoni raportin midis rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur në kontekstin e çlirimit të Kosovës?
-J. Buxhovi: Siç u tha më sipër, UÇK dhe ishte pjesë e rezistencës institucionale, që nga fillimi, në kuadër të përcaktimit të LDK-së (kur nuk kishte qeveri dhe shtet paralel 1900-1902) për mbrojtjen e pragut të shtëpisë për ç’gjë përgjegjës ishin komision vendore të degëve dhe të nëndegëve. Me themelimin e Qeverisë së Kosovës në dhjetor 1992, në kuadër të ministrive, u përfshinë edhe Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Rendit Publik. Ato filluan mobilizimin e rekrutëve të larguar nga APJ si dhe të oficerëve që po ashtu ishin larguar nga APJ (rreth 420 sosh) disa të shpërndarë në luftimet në Kroaci e më vonë në ato të Bosnjës dhe Hercegovinës. Koncepti i këtyre dy ministrive ishte fillimisht i krijimit të njësive rezerve brenda dhe të brigadave jashtë. Por, ishte urdhri i kërshëndellave i Bushit i 24 dhjetorit 1992 që i vuri vija të kuqe Serbisë për përhapjen e konfliktit të luftës në Kosovë, po edhe Kosovës që të vazhdonte rezistencën institucionale paqësore, pra pa luftë. Dr. Rugova u urdhërua që menjëherë të ngihet puna e dy ministrive , asaj të Mbrojtjes dhe të Rendit, si dhe neutralizim i grupeve të gueriles (atij të Drenicës, në krye me Adem dhe Hamëz Jasharajn, të Deçanit, në krye me S. Çekun, të Llapit dhe kështu me radhë). Shumë prej tyre respektuan këto urdhra dhe dolën jashtë (Jasharajt, S. Çeku e të tjerë). Disa oficerë dhe policë që vazhduan veprimtarin në Kosovë në kuadër të mbrojtjes territoriale të drejtuar nga kolonel Hajzer Hajzeri u burgosën (126 veta) dhe u dënuan me burgime të gjata. Në vakumin e krijuar, ndërhyri LPK, deri më atëherë anëtarë kolektiv i LDK-së, dhe filloi aktivizimin e militantëve në disa aksione, në vitin 1996, që shumica e tyre, edhe ashtu ishin anëtarë të degëve dhe nëndegëve të LDK-së. Dalja në skenë e UÇK-së, në nëntor 1997, paraqet vazhdimin e politikës me mjete të tjera. Assesi ndryshe. Po të kishte vazhduar ky koncept, sot nuk do ta kishim procesin e Hagës dhe gjithë ato përplasje që ndodhen gjatë dhe pas luftës midis “krahut paqësor” dhe atij “të luftës”, kur ishin pjesë e të njëjtës kauzë dhe nga i njëjti brum…
-Gazeta Nacional: Pavarësia e Kosovës është një akt historik me shumë dimensione. Si e përjetuat atë moment dhe çfarë kuptimi ka sot në një perspektivë më të gjerë historike?
-J. Buxhovi: Në veprat e mia historiografike pavarësia e Kosovës vlerësohet ngjarja më e madhe e shekullit.
– Gazeta Nacional: Si i vlerësoni raportet aktuale midis Kosovës dhe Shqipërisë në planin kulturor, politik dhe identitar?
J.Buxhovi: Për fat të keq, realiteti i dy shteteve shqiptare në Ballkan, nën sponzorizimin e drejtpërdrejtë të SHBA-ve dhe aleatëve europianë, nga një pjesë e mirë e politikës shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, është shikuar dhe vazhdon të shikohet më shumë si hendikep, një si mallkim historik, se sa e arritura më e madhe e shqiptarizmit në përgjithësi. Heqja e kufirit, as në planin kulturor, as atë ekonomik, nuk është kthyer në një përparësi për afri dhe bashkim kulturor, ekonomik dhe shpirtëror në përgjithësi. Përkundrazi, politikat shtetërore në Tiranë dhe Prishtinë ndjekin agjenda të drejtuara nga ambicie personale të liderëve për protogonizëm dhe karshillëk feudalo-fisnor, po edhe mafioz! Kjo sjellje sikur përkujton atë përvojën e keqe nga themelimi shtetit shqiptar më 1912 e deri te ditët tona, që shteti për ta paraqet armik, që duhet luftuar dhe jo ombrellë që duhet forcuar, veçmas kur gjendemi edhe më tutje në gojë të ujkut!
–Gazeta Nacional: Në ç’masë e konsideroni letërsinë tuaj si një formë rezistence kulturore dhe politike?
-J. Buxhovi: Letërsinë nuk e konsideroj pjesë të vetëdijes kulturore, me çka ajo shfaqet faktori kryesor imunitar i qenies…
-Gazeta Nacional: A mendoni se shkrimtari në hapësirën shqiptare ka ende një rol të veçantë si “ndërgjegje e kombit”, apo kjo është një paradigmë e tejkaluar?
-J. Buxhovi: Për fat të keq, nga shumë arsye, veçmas nga ato politike, kur ato merren ndore nga politikanë tribalë, kjo shfaqet paradigmë e tejkaluar, madje e dëmshme, meqë “ndërgjegja” kthehet në paradigmë të vasalitetit intelektual, më e dëmshme se ajo e diktatit ideologjik nga e kaluara e afërme!
-Gazeta Nacional: Si e përkufizoni raportin midis estetikës dhe etikës në veprën tuaj?
-J. Buxhovi: Përpiqem që raporti etik dhe ai estetik të jenë të balancuar…
-Gazeta Nacional: Duke qenë se veprat tuaja janë përkthyer në disa gjuhë, si ndryshon recepsioni i tyre jashtë hapësirës shqiptare?
-J. Buxhovi: Nga veprat e mija letrare është përkthyer “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi” (serbisht, sllovenisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, polonisht dhe gjendet në përkthim edhe në gjermanisht dhe anglisht). Ndërsa në anglisht është përkthyer “Dosja B”. “Kazazi” është pritë mirë në frëngjisht nga L’Harmattan i Parisit me pesë-gjashtë ribotime si dhe ai në italisht me tri ribotime brenda një kohe të shkurtër. Në Itali ka lëvizje edhe drejt filmimit të romanit, si kooproduksion me Kosovën. Por prej dy vitesh, një producentit të njohur italian, i mungon një përgjigje nga Ministria e Kulturës!
-Gazeta Nacional: A mendoni se letërsia shqiptare arrin të komunikojë universalitetin e saj pa humbur specifikën historike?
-J. Buxhovi: Specifikat historike jo rrallë, universaliteti i nxjerr nga “provincializmi”. Këtë më së miri na dëshmon letërsia latino-amerikane, me dimension e realizmit magjik markezian.
–Gazeta Nacional: Duke parë pas në një krijimtari kaq të gjerë, a mendoni se ka një vijë të brendshme unifikuese që lidh gjithë veprën tuaj?
-J. Buxhovi: Këtë nuk mund ta them. U takon studiuesve të letërsisë, që janë gjithnjë e më të paktë, e gjithnjë më të rrudhur sipas interesave të tarafeve…
-Nacional: Çfarë raporti keni sot me veprat tuaja të hershme: i shihni si dëshmi të një kohe apo si pjesë ende aktive të dialogut tuaj krijues?
XII. Planet dhe vizioni për të ardhmen
–Gazeta Nacional: Çfarë projektesh të reja letrare apo historiografike po përgatitni aktualisht, dhe cilat tema ndjeni se ende kërkojnë trajtim?
XIII. Jubileu dhe kuptimi i kohës personale
-Gazeta Nacional: Çfarë përfaqëson për ju 80-vjetori i lindjes: një pikë reflektimi, një bilanc apo një fazë e re e vetëdijes krijuese?
-J.Buxhovi: Përgjigjen e kësaj duhet kërkuar te libri “Dy pasluftat e mia” që do të dalë nga fillimi i gushtit.
-Gazeta Nacional: Si e përjetoni simbolikisht 60-vjetorin e nisjes së krijimtarisë suaj: si një rrugëtim të përmbushur apo si një proces ende të hapur kërkimi?
-J. Buxhovi: Krijimtarinë letrare e konsideroj rrugëtim të papërmbushur…
-Gazeta Nacional: Nëse do t’i drejtoheshit vetes suaj të re, në fillimet e këtij rrugëtimi, çfarë do t’i thoshit sot?
-J. Buxhovi: Kthim tek e njëjta…
-Gazeta Nacional: Në fund, a është shkrimi për ju një akt i kërkimit të së vërtetës apo një mënyrë për ta problematizuar atë?
-J. Buxhovi: I të dyjave…
-Gazeta Nacional: Si do të dëshironit të mbeteshit në kujtesën e brezave që do të vijnë: si historian, si romancier, apo si një ndërgjegje kritike e kohës suaj?
-Gazeta Nacional: Nëse do të duhej të linit një mesazh për brezin e ri të shkrimtarëve dhe studiuesve shqiptarë, cili do të ishte ai në raport me të vërtetën, lirinë krijuese dhe përgjegjësinë intelektuale
-J. Buxhovi: Latinët thonin: “Vitam impedere vere” (Jetën kushtoja të së vërtetës), që do t’ia shtoja edhe atë: nuk mjafton të jesh vetëm i lirë, meqë kthehesh në skllav të saj, por të veprosh si i lirë…
Fundmars, 2026
Trishtimi i ruses T.
(Mbi makthet e Kremlinit dhe jetën e pagëzim…)
Saherë mërgimtarët kthehen nga atdheu, pas një qëndrimi disakohësh, kanë një ndriçim tjetër në vështrimin e tyre.
Dhe, veçanërisht ata, si do thoshte Markez, anonimët e shquar…
Por, mes fjalësh që rrëfejnë çmallje dhe elan të ri, ndonjë psherëtimë e beftë i kthen ngadalë në mantelin e të huajit. Lulet e zemërprehjes përballojnë një kohë, derisa mbi to të bie ngadalë bryma e tretdheut…
Por rusja T. ishte më ndryshe. Një natyrë e çiltër siç është, e lumtur vente në Moskë e pokështu kthehej në Berlin. Orët mërgimtare nuk e thyenin dot atë vullnesë ndjesie. Ishte e paprekshme në thellësinë e natyrës së saj.
Por një ditë kësojave, erdhi pak e heshtur në punë. Përshëndetja e zjarrtë ishte tretur. Ç’të ketë vallë, mendova dhe, njëkohësisht, thashë me vete: të jetë fyer nga ndonjë fjalë e pahir?
Gjendja në Moskë është një katastrofë, shpjegonte më pas. Mbretëron frikë, pasiguri, deshpërim kolektiv, heshtje morti. Ekonomia e luftës ka varfëruar gjithçka. Interneti është i mbyllur. Dhe njerëzit ndihen të izoluar nga bota si në vitet e Pasternakut.
Mbeta i habitur. Isha në dijeni për degradimin e jetës ruse nën autokracinë dhe luftën e gjatë që kthen çdo ditë djem të vrarë nga fushat e Ukrainës.
Por luftë, në fakt, kishte dhe vitin e kaluar. Mirëpo ajo, rusja e bukur T., fliste ndryshe pas kthimit nga atdheu i saj. Plot gjallëri dhe entuziazëm. Jo për luftën, natyrisht. Në prapavijë, si rr’fente, kishte një jetë të qetë e gjithë shpërfillje të rinisë për makthet e Putinit. Madje, kish dëgjuar se, pasi Trump shkelte pragun e Zyrës ovale, mund të bënte ç’të dojë në Ukrajinë e gjetiu botës.
Ndërkaq tani ishte trishtuar. Sërish, jo për rrëzomat e Kremlinit. E njoh sa të besoj që nuk e vuan atë brëngë. Ishte për ikjen e gëzimit nga sytë e rusëve të saj. Një rini dhe popull i nënshtruar që bjerrë çdo ditë shpresë e qytetërim në “botën e iluzore ruse”…
Ndërkaq mua do t’më rezultonte qysh herët një mendim i tillë. Por tani konsolidohej, disi, përfundimisht.
Saga e mikut Trump doli një blof. Një truk i agjencive të mashtrimit. Dhe kujtova kancelarin e madh Bismarck tek thotë: asnjëherë nuk ndodh të ketë më shumë gënjeshtra se sa në stinë zgjedhjesh, gjatë luftës dhe pas gjahut.
Rusia është e thyer: Në ekonomi, fushëluftë ku nuk triumfon dot (Ukraina ende kontrollon afro njëzet përqind të Donbasit), në moralin kombëtar, ëndrrën neoimperiale që tretet si retë pas shiut dhe, mjerisht, në psikologjinë e rezistencës së pamundur…
Burime lajmesh flasin se, përballë ngecjes në kthetrat e një lufte të pafituar, Putin matet të bëj një marrëzi: të provojë fatin ushtarak me Nato-n.
Dhe Baltiku përrallor piketohet si një provë e parë. Veçse po i hyri aventurës, kjo do të ishte poashtu disfata e parë dhe prova e tij e fundit!
Dhe rusja T. ku do të ishte atëherë me harenë e, më pas, me pikëllimin e saj?!
Fatet alternohen shpejt, nga mëngjesi në darkë, mëson Libri i vjetër…
R.
Fundmars, 2026
Sovraniteti i kufizuar i Europës…
(Mbi një mërgatë që hisedon)
1.
Skllevërit që s’janë
“Askush, si gjermanët, nuk e ka mprehur tehun e
vetëzhbërjes si Gjermania”!
Kështu shkruante vite më parë kultshkrimtari francez M. Houllebecq. I njohur tash sa kohë nga përsiatjet e tij mbi këtë temë. Madje romani “Nënshtrimi” ka pikërisht kryemotiv të rrëfimit të bukur letrar: vendësit që tkurren dhe emigrantët që shpërthejnë vullkanërisht.
Ishin motet e vështira kur kancelarja Merkel hiqte tavanin gjerman për pranimin e refugjatëve sirianë. E, ata erdhën dhe u sistemuan plot një milionë brenda një stine, viti 2015, që do të ndryshonte hartografinë etnike të këtij Landi europe me kompleksin e fajit të përjetshëm.
Por Marie Le Pen, desh t’a shpjegonte ndryshe arsyen e tavanit merkeljan. Gjermanët, thoshte ajo, kanë nevojë për skllevër!
Madje Albert Kamy, sikur t’a frymëzonte që herët, në “Letra mikut gjerman” shkruan se ne vijmë nga larg, nga një lashtësi qytetníe dhe nuk i dhuruan kurrë skllevër botës. Aluzioni ishte i qartë: ashtu siç bëni ju, gjermanët e Rajhut!
Por ishte krejt e pasaktë, natyrisht.
Sepse, thjeshtë, kush pati histori më të gjatë kolonializmi e skllavërie sesa frëngjët e tyre? Të zonjës Le Pen dhe, për çudi, të autorit famoz të “Letrave…” ?
2.
“Lufta e huaj”…
Ndërkaq, një kancelar tjetër, poashtu i djathtë (Merz, në bisedë me Sharaa-në), përqaset të korrigjojë diçka. Një shifër makthi. Një prishje ëndrre. Dhe një goditje natyre për civilizimin e lodhur.
Ndaj flet të rikthejë sirianët në atdhe. Që atje të kërkojnë fatin, duke ndërtuar vendin e tyre të jetimëruar!
Por është një mision i pamundur!
Nga 900 mijë të ngulur prej tyre, shumica tashmë kanë status shtetësie ose përhershmërie në tokën gjermane. Mirëpo athua janë akoma motivet e hershme që përnxisin një planveprim të tillë, gati imagjinar?
Jo, aspak!
Me gjasë, përveç strukturës nacionale që shfytyrohet, mandej tregu i punës, sistemi social e shëndetësor që ngarkohet, tash së voni shfaqet në arenë dhe një faktor tjetër tronditës.
I menduar qyshkur, por i mbetur pasiv e në pritje Ore!
Ishte lufta e Iranit që i bëri një shpalesë dhe tani beh revanshi i tij fatal.
Spanja fillimisht, pastaj Britët, tani Franca e ndjekur nga Meloni, Zvicërra dhe gjermanët e heshtur asnjanës, refuzojnë shërbesën e territoreve të tyre për fluturimin e avionëve amerikanë të luftës!
Arsyeja?
Paskësh kosto, mandej, fundja, nuk është lufta e jonë, Nato nuk ishte e agresuar – ishin disa nga shpjegimet e habitshme të tyre. Po a nuk shprishi këto fije indiferente Xhon Bolton tek tha: as Ukrajina nuk ishte lufta e Amerikës dhe Rusia s’kishte sulmuar një anëtar të Natos. Por do të bëhej gati palë lufte që në plasje të saj!
Përtej këtyre fjalëve kote, europianët duhet të kenë një dert tjetër që peshon rëndë: mërgatën islamike!
Dhe aderimi në një luftë të tillë do të aktivizonte terrorin a, thjeshtë, rebelimin e pafjetur të grupeve të saj për të destabilizuar në kufi përplasjesh (ose lufte civile, si pohonte Houellbecq) Europën e thembër-akilit mondan.
3.
Sovraniteti i kufizuar
Dhe ja, koha e re. E pritshmja që erdhi shpejt me një faturë në dorë. E ligë dhe e pagojë si asnjë tjetër.
Deri tani sovranitetet i kufizonin fuqitë hegjemone, blloqet ushtarake dhe varshmëria e të vegjëlve ndaj dalëzotësve të tyre.
Ndonjëherë dhe shpërfillja morale e së drejtës ndërkombëtare. Me shkronjën e saj, ajo do të mbronte shpesh tiranë të ndryshëm që shtypnin popujt e tyre apo etni të tjera në “burgun” e sajesave shumënacionale.
Sovjetët dhe jugosllavët ishin prova e përgjakur e historisë.
Por kësokohe shohim një formë tjetër të sovranitetit të kufizuar. Në fakt, është më shumë një vetëkufizim i mnershëm, një rrudhje, gati një ndarje e tij me vendet e origjinës së qytetarëve të tyre islamikë.
E pra, nuk mjafton kujdesi i kadiftë për të drejtat e tyre, promovimi i kulturës, madje tolerimi i “shoqërive paralele” që jetojnë në një milje tjetër ku ndiqen rregulla e kode të veçanta, krejt ndesh me Leitkulturën e vendit strehimtar.
Kërkohet më shumë, tepër më shumë. Duhet t’i
konsiderojnë përulshëm interesat strategjikë të vendeve prejardhëse. Pavarësisht përmasës dhe natyrës së tyre.
Ndryshe, fitili i shpërthimit ka afër, sa koha e një gjethi që bie, shkrepsën e zjarrit…
Eh, Europa e gjorë!
Dhe nuk janë fare të gatshëm të japim shtetin nacional në Themelet e patundshme unitare, por akoma vetëm disa atribute të pakta të shtetit klasik.
Së, fundmi, a mund të themi, si Otto von Habsburg tek shkelte rishtar e i flatruar, vitet 70-të, pragun e Parlamentit të Europës?
E pra: Një perandori e rinuar “romake”, e lirë dhe demokratike – është Rilindja e vetme e saj!
R.
Mësuesi ynë i talentuar i histories, Vasil Danga ishte edhe arkeolog.
Kjo puna e studimeve dhe e arkeologjisë thoshin, se e koishte lënë edhe pa u martuar.
Në shkollë, veç mësimdhënies kishte pasion edhe kabinetin e historisë dhe gjeografisë. Kur fliste për lufëtrat , veç ta dëgjoje! Pale kur niste për arkeologjinë- një palë vesh dhe një palë sy nuk të mjaftonin.
Ishte i thinjur, por kravata në qafë kurrë nuk i mungonte. Kostumet e tij ngjyrë preshi dhe palltoja ngjyrë kamilje, ishin të pandara në imazhet tona si nxënës të tetëvjeçares.
Pasion i tij ishte edhe ndonje shkrim në gazetën lokale dhe sidomos, ndonjë kumtesë shkencore për arkeologjinë apo heroizmin e popullit tonë ndër shekuj, në referimet në pallatin e kultures të qytetit, ku shokët e udhëheqësisë vendore, në vendet e lozhës, neve nxënësve na dukeshin çdo herë si të derdhur në allçi.
Ato ditë, klasa jonë si maturë kishte shkuar në një ekskursion triditor në Korçë, në qytetoin e shkollës së parë shqipe dhe të Themistokliut, kur morëm vesh thagmën* (mrekulli, çudi ) që i ndodhi profesor Vasil Dangës në Tiranë.
Më pas mësuam se ëndrra e tij për t’u bërë i njohur në botën shkencore dhe akademike, kishte marrë shenjën e parë nga një telefonatë prej kooperativës bujqësore të Mogilave buzë lumit.
Traktori duke hapur toka të reja me punime të thella, kishte ndeshur në një objekt arkeologjik. Një pllakë e madhe mermeri sa një portë shtëpie, ishte lëvizur nga maja metalike e plugut.
U ndërprenë punimet. U njoftua profesor Vasili. Pasi mori leje nga shkolla u nis me taksinë e Kamberit drejt vendit të gjetjes. Siç konstatoi, gjetja e fshtarëve ishte nje sarkofag antik prej mermeri. Poshtë kapakut të varrit profesor Vasil Danga zbuloi i ngazëllyer, mbetje mortore antike: një skelet njeriu dhe një iventar të pasur me sende.
“Sihariq!-u tha ai traktoristit dhe disa fshatarëve që pushonin nën hijen e një gorrice.
Ata e panë të habitur teksa vendoste në një thes prej zhake sendet e sarkofagut duke nisur nga kokallat e lashta. Herë pas here mbante edhe shënime.
“Gjete florinj?- e kish pyetur i shpuar nga kërshëria njeri prej tyre te gorrica.
“Ç’florinj, mor shokë! Jo florinj, po gjëra më të çmuara keni zbuluar: eshtra antike dhe sende të rralla.…-ua ktheu entuziast.
“Ahaaaa…!” -bënë burrat me njeri-tjetrin duke bërë në ajër me dorën pranë kokës atë sinjalistikën e stërnjohur popullore: “Qënka i lojtur prefesori i ngratë! I shkarë! Gjynah!”
***
Afër mendsh që do të njoftonte me telefon që të nesërmen Institutin Arkeologjik të Tiranës, po se po, po edhe Akademinë e Shkencave. Aso kohe, bashkëpunëtorët shkencorë vlerësoheshin goxha dhe merreshin me seriozitetin e duhur.
Të ndodhur në prag të një Konference Kombëtare të Arkeologjisë, shokët e Tiranës e përgëzuan për raportimin dhe profesor Danga ishte i mirëpritur një orë e më parë në zyrat e institucionit. Ai nisi të qëndisë një ditë pas zbulimit raportin mbi gjetjet arkeologjike në Mogila:
Përmbledhje:
Një sarkofag (varr).Mendoj se mund të jetë i një princi të pasur ilir me rol të rëndësishëm në shoqëri. Koha: shek. IV–III para Erës sonë* (para Krishtit)
Çfarë është gjetur konkretisht:
U bë gati për kryeqytet. Bleu enkas një valixhe inkeliti ngjyrë lejla për të futur pjesët më të rëndësishme të gjetjeve dhe sigurisht kokallat *(eshtrat) e princit të supozuar. I vendosi brenda një këllëfi me akllas portokalli në madhësinë e një nënkrese mesatare.
“ Pikërisht eshtrat, mendoi ai, do t’i hap të parat në tryezën e zyrës së drejtorit në kryeqytet. Princin ilir! Zbulimin befasues, pse jo të krejt konferencës së pritshme kombëtare?.
Dhe ja tani do të dëgjojmë raportimet dhe njoftimet që vijnë nga treva jugore dhe posaçërisht nga gjetjet më të fundit pranë tumave të Mogilave.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, profesor Aleksi heq syzet e trasha optike nga balli prej bronxi dhe hedh vështrimin sa te salla, edhe te radha ku qëndronte mësuesi Vasil Danga:“ Ju lumtë shoku Vasil ! Një zbulim i madh që hedh dritë falë përkushtimit të një gjurmuesi të palodhur të terrenit, një mësues i thjeshtë historie por me pasion të madh shkencor dhe kërkimor!
Urdhëroni te podiumi i nderit!-iu bë se dëgjoi ëndërrimtar Kryetarin e Akademisë së Shkencave tek e thërriste për të folur,duke i shtangur të gjithë të pranishmit në sallë me zbulimin e fundit.
Në sallën plot e përplot, tani po dëgjohej një mërmërimë e zgjatur që përfshiu edhe radhët e të ftuarve nga jashtë shtetit: akademikë, albanologë, etnologë, etj,. Pak më sipër te lozhat ballore dhe anësore të sallës, udhëheqja e lartë e Partisë dhe qeverisë, i kishte ngulur sytë prej sfinksi Vasil Dangës që po i afrohej i ndrojtur podiumit të foltores. Ndjeu se u bë prush në fytyrë.
***
Në stacionin e trenit në Ballsh preu biletën dhe me hap të nxituar hyri në vagon tok me dhjetra te tjerë që shtyheshin për të kapur një vend për t’u ulur. Arriti të rehatohej në një vend pranë dritares siç dëshironte por valixhen e mbante fillimisht mbi gjunj.
Kur fishkëllima e trenit dha sinjalin e nisjes në vagon ia behën një grup me pesë-gjashtë persona. Profesori i ndiqte pa vëmendje të sapombërriturit. Një grua e re e këtij grupi mbante në dorë një valixhe të ngjashme, prej inkeliti në po atë ngjyrë me valixhen që profesor Danga mbante mbi gjunjë. Ata zunë vendet dhe gruaja e sistemoi valixhen në vendin e bagazheve pingul mbi ndenjëset e tyre dhe ngjitur me profesorin.
Ende pa mbërritur në stacionin e Fierit, ai u njoh me bashkudhëtarët. Ata ishin krushq që shkonin për të këmbyer nishanet* (dhurata simbolike para dasmës.) me palën e nuses diku pranë kryeqytetit.
“Mos e mbaj valixhen mbi gjunjë se ka vend sipër,-iu drejtua dikush nga dasmorët profesorit. Me një ngurim të dukshëm ai e vendosi sipër te bagazhet.
“Kush do ia marrë i pari këngës te shtëpia e nuses?:-pyeti më i moshuari prej krushqve dhe i hodhi sytë nga tri e gratë e lyera me një tualet të rëndë.
“Hajde, Sofika,!- u dëgjua dhe pas pak zhurma e trenit u përzie me zërin e bukur të gruas që quhej Sofika
“O moj nuse, dritë në dritare,
erdhe me gëzim në shtëpi të madhe….
U mbushën sokakët me këngë e hare,
Lumë kush të solli në portën e re.”
Këngët popullore në vagonin e profesorit vijuan derisa treni iu afrua stacionit të fundit dhe njerëzit, si të nxitur nga një komandë alarmi, u sulën te dyert, kush e kush të dilte i pari, a thua do ikte Tirana. Gjithkush rrëmbente çanta ose valixhe dhe turrej jashtë. I fundit nga vagoni, doli profesor Vasili.
Zgjati dorën te bagazhet, tërhoqi çantën e lëkurtë prej inkeliti lejla dhe zbriti qetë- qetë duke ndjerë në fytyrë ajrin e lagësht e të freskët të Tiranës. Pas pak e pa veten në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe këmbët e çuan në hotel.
***
Të nesërmen, kur ora shënoi nëntë pa pesëmbëdhjetë, profesori trokiti në zyrën e drejtorit të Institutit.
Pas mirëseardhjes së përzemërt drejtori prof.Dhimosteni, ftoi në zyrë edhe tre-katër kolegë, ku Vasil Danga do të prezantonte mbi tavolinë gjetjet e shumëpritura arkeolgjike të sarkofagut të Mogilave.
“Paske ardhur me këmbë të mbarë shoku Vaso, pasi pasnesër çel siparin edhe konferenca kombëtare e arkeologjisë. Urdhëro!-tha ai dhe u ul ne karrigen e tij me sytë nga valixhja lejla mbi tryzën e madhe të punës.
“Përpiqemi,shoku Drejtor-tha Vasil Danga duke falënderuar për fjalët e mira në adresë të tij.
Kapaku i valixhes u zbërthye pas lëvizjes 180 gradë të zinxhirit dhe në zyrë u përhap një arome e rëndë parfumi që të shponte hundët. Profesor Vaso dukej i shastisur. Hoqi nje copë akllasi të bardhë dhe ne valixhe u duk nje fustan, një palë sandale të bardha grash,….tre shishe parfumi, të kuq buzësh, këmishë nate grash, një palë mbathje akllasi………
“Oohh nëna ime ! “-tha profesor Vasili. Balli iu mbush me bulëza djerse dhe sakaq u shakullos mbi karrige, në gjendje të fikëti.
“Një gotë me ujë!-tha dikush. Atë çast, shoferi i institucionit u afrua dhe i zbërtheu nga gryka kravaten e kuqe njeriut të alivanosur.
“Ç’po ndodh?-tha drejtori.-A jeni mirë?Ku janë eshtrat e sarkofagut?…
“Oohh nëna ime ! Pse më linde?-belbëzoi me pamjen e një të ndërkryeri “Krushqit, kryshqit e trenit !..tha ai i çoroditur në fytyrë.
“Valixhja është e tyre! Ata kanë marrë timen tok me gjetjet dhe eshtrat e sarkofagut dhe i kanë shpurë te nusja!..
Të gjithë ishin ngritur në këmbë me sytë nga valixhja lejla e çuditshme ndërsa ai vazhdimisht thërriste si në kllapi:
“Oh nëna ime ! Pse ma bëtë këtë?..///
–o0o–

-Intervistë me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj-
PASAPORTA:
Shtetësia: Shqiptare
Ditëlindja: 12.12.1961
Eksperienca
Titulli akademik
1999 Titulli akademik – Profesor i Asociuar
2004 Titulli Akademik – Profesor
2020 Titulli nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë – Mjeshtër i Madh
Çmimet
1986: Çmimi i dytë për aktorë, akorduar në Festivalin e Shtatë te Filmit Shqiptar.
1982: Medalioni i Festivalit të Pestë të Filmit Shqiptar.
1979: Medalje “Naim Frashëri” – akorduar nga Kuvendi i Shqipërisë
SPECIALIZIME:
Gjate viteve 1995-2000 ndjek specializimet dhe stazhet profesionale në Shkollën Ndërkombëtare të Teatrit “Jacques Lecoq”, Paris (France), në Shkollën e Teatrit Murcia (Spanjë), në Departamentin e Shtetit Amerikan për Administrim-Menaxhim të Teatrit dhe të shkollave teatrore, si dhe organizimin dhe funksionimin e shkollave dhe kompanive teatrore, etj.
PJESËMARRJE:
Prof. Petrit Malaj është pjesëmarrës në shumë aktivitete periodike Evropiane dhe rajonale si festivale teatrore e filmike, konferenca e seminare, masterclass-e, workshope te ndryshme i angazhuar me cilësinë e pjesëmarresit, lektorit apo drejtuesit te sesioneve teoriko-profesionale (Lisbone, Shkup, Prishtine, Udine, Sofie, Sibiu, Badajoz, Lecce, L’Aquila, Pescara, etj).
PYETJE: Të fillojmë me rrënjët dhe historinë tuaj personale.Vlora dhe Tropoja në fëmininë tuaj, cila është pesha e kujtimeve në formimin tuaj si karakter , si ka ndikuar kultura dhe mjedisi i tyre në mënyrën e zgjedhjes së profesionit apo në qasjen tënde kah puna diplomatike?
PËRGJIGJE: Fëmijëria ime është e ndërtuar mbi dy realitete të forta shpirtërore: Vlora dhe Tropoja. Vlora më ka dhënë hapjen, frymën detare, një sens lirie dhe komunikimi me botën. Ndërsa Tropoja më ka dhënë rrënjët, qëndrueshmërinë, ndjenjën e nderit dhe besnikërisë ndaj fjalës së dhënë.
Këto dy dimensione nuk janë thjesht kujtime, por pjesë e identitetit tim. Ato më kanë mësuar të jem njëkohësisht i hapur dhe i qëndrueshëm, i hapur ndaj përshtatjes por i palëkundur në parime. Në diplomaci, kjo është thelbësore: të dish të dëgjosh, por edhe të qëndrosh fort kur duhet.
Profesionin tim e kam nisur me aktrimin, një përvojë që më ka ndihmuar të kuptoj më mirë njeriun, emocionet dhe mënyrat e komunikimit përtej fjalëve. Më pas, angazhimi im në pedagogji dhe në drejtimin universitar më ka dhënë mundësinë të punoj me të rinjtë, të ndërtoj ide, të menaxhoj institucione dhe të zhvilloj një qasje më të strukturuar dhe strategjike ndaj përgjegjësive publike.
Të gjitha këto përvoja, të marra së bashku, më kanë sjellë natyrshëm në diplomaci. Sepse në thelb, diplomacia është një kombinim i ndjeshmërisë njerëzore, komunikimit të kujdesshëm dhe përgjegjësisë institucionale, elementë që i kam ndërtuar hap pas hapi gjatë gjithë rrugëtimit tim.
PYETJE: Si ja dolët të kaloni nga një vend i vogël si Tropoja drejt një karriere diplomatike nderkombëtare?
PËRGJIGJE: Nuk besoj se vendi nga vjen e përcakton kufirin e mundësive të tua. Tropoja mund të jetë e vogël në hartë, por është e madhe në karakter dhe në vlera.
Rruga ime ka qenë një kombinim i punës së vazhdueshme, përkushtimit dhe besimit se mund të kontribuoj për vendin tim. Asgjë nuk vjen menjëherë. Janë vite studimi, përvoje, sfidash dhe, mbi të gjitha, një dëshirë e fortë për të bërë diçka për vendin tënd, si në art ashtu edhe për të përfaqësuar dinjitetshëm Shqipërinë.Ajo që më ka ndihmuar më shumë është të mos harroj kurrë nga vij,sepse kjo të jep drejtimin se ku duhet të shkosh.
PYETJE: Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Kosovës në këtë kohë, çfarë sfidash dhe mundësish shihni në bashkëpunimin mes dy vendeve, cilat janë prioritetet tuaja si ambasador për të forcuar më tej këto marrëdhënie?
PYETJE: Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Kosovës në këtë kohë, çfarë sfidash dhe mundësish shihni në bashkëpunimin mes dy vendeve, cilat janë prioritetet tuaja si ambassador për të forcuar më tej këto marrëdhënie?
PËRGJIGJE: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë sot më të forta dhe më të natyrshme se kurrë më parë. Ato nuk janë vetëm marrëdhënie shtetërore, por mbi të gjitha marrëdhënie mes njerëzve, familjeve, kulturave dhe historive të përbashkëta.
Sigurisht, ka ende sfida ,sidomos në koordinimin institucional, në harmonizimin e politikave dhe në ritmin e zbatimit të projekteve të përbashkëta. Por mundësitë janë shumë më të mëdha: ekonomi e integruar, treg i përbashkët, shkëmbime arsimore dhe kulturore më të thelluara.
Prioriteti im si ambasador është ta bëj këtë marrëdhënie edhe më funksionale: më konkrete, më të prekshme për qytetarët, duke kaluar nga simbolika tek rezultatet reale.
PYETJE: A besoni se kultura, marrëdhëniet e përbashkëta kulturore, veprimtaritë dhe projektet e një kalendari të njesuar kulturor forcojnë lidhjen mes shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë, cilat tradita apo element kulturorë nga Malësia e Gjakovës/Tropoja do të dëshironit ti ndanit me qytetarët e Kosovës?
PËRGJIGJE: Pa asnjë dyshim. Kultura është ura më e fortë që lidh njerëzit ,më e qëndrueshme se çdo marrëveshje politike. Një kalendar i përbashkët kulturor nuk është thjesht organizim aktivitetesh, por një mënyrë për të jetuar së bashku identitetin tonë.
Nga Malësia e Gjakovës do të sillja frymën e mikpritjes, kcimin e Tropojës, këtë pasuri tonën kombëtare,lahutën si simbol të kujtesës historike, këngët epike, poezinë e poetëve tropojanë që për mua kanë lë një gjurmë shumë interesante në letërsinë shqipe, dhe traditën e kuvendit. Ato mbartin një filozofi të tërë jetese: respektin për tjetrin, nderin dhe lidhjen me rrënjët.Këto elemente nuk janë folklor, por pjesë e identitetit tonë të përbashkët.
PYETJE: A ka aktualisht inisiativa konkrete për të nxitur bizneset e vogla dhe të mesme në bashkëpunim në optikën e projekteve strategjike në sfidën e integrimit evropian si dhe të programit ndershtetëror, sidomos në rrafshin gjeografik të malësë së Gjakovës dhe të Dukagjinit?
PËRGJIGJE: Po, ka një vëmendje në rritje ndaj bashkëpunimit ekonomik ndërkufitar, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme. Këto zona kanë potencial të madh në turizëm malor, bujqësi, blegtori dhe produkte tradicionale.
Sfida mbetet në krijimin e mekanizmave më efikasë mbështetës mes bashkive e komunave dhe biznesit kufitar, qoftë përmes lehtësimit të procedurave, financimit apo rrjeteve të përbashkëta të tregut.Qasja jonë është që këto zona të mos shihen si periferike, por si ura lidhëse zhvillimi mes dy vendeve.
PYETJE: Çfarë mund të mësojmë nga njeri tjetri sot në fushën e arsimit dhe kulturës si dhe të krijimit të hapësirave të zhvillimit dhe integrimit të të rinjve në të gjitha fushat e jetës. Si mundet që nxitja e artit dhe të kultures të forcojë identitetin tonë kombëtar ?
PËRGJIGJE: Ne kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri , jo sepse jemi të ndryshëm, por sepse kemi zhvilluar përvoja të ndryshme.Në arsim, mund të thellojmë bashkëpunimin në programe të përbashkëta, shkëmbime studentore dhe standarde cilësie.
Në kulturë, mund të krijojmë më shumë hapësira për artistët e rinj që të bashkëpunojnë përtej kufijve administrativë.Arti dhe kultura janë thelbësore për identitetin tonë kombëtar. Ato jo vetëm e ruajnë atë, por e zhvillojnë dhe e bëjnë të kuptueshëm për brezat e rinj.
PYETJE:Cili është mësimi më i rëndësishëm që keni nxjerrë deri tani gjatë karrierës diplomatike?
PËRGJIGJE: Është një mësim i përbashkët për aktorin dhe diplomatin. E ky mësim i rëndësishëm është se si në aktrim ashtu edhe në diplomaci para së gjithash duhet të dish të dëgjosh. Pra mësimi kryesor, para së gjithash, është arti i dëgjimit.
Shpesh mendohet se diplomati duhet të flasë mirë, por në të vërtetë, ai duhet të dëgjojë edhe më mirë. Të kuptosh tjetrin, edhe kur nuk bie dakord me të, është çelësi për të ndërtuar ura dhe për të shmangur konflikte të panevojshme.
PYETJE: Me një përformancë të ndjeshme si aktor dhe artist, si mendoni se ka ndikuar arti në stilin tuaj diplomatik si dhe në komunikimin tuaj me publikun dhe institucionet? A ju ka ndihmuar përvoja juaj si aktor të kuptoni më mirë ndjeshmëritë komplekse njerëzore?
PËRGJIGJE: Arti më ka dhënë një ndjeshmëri më të thellë ndaj njerëzve dhe situatave. Si aktor, mëson të hysh në këndvështrimin e tjetrit, të kuptosh emocionet dhe motivet që nuk shprehen gjithmonë drejtpërdrejt.Kjo është jashtëzakonisht e vlefshme në diplomaci. Komunikimi nuk është vetëm çfarë thuhet, por edhe si thuhet dhe çfarë qëndron pas fjalëve.
Në këtë kuptim, arti më ka ndihmuar të jem më empatik, më i kujdesshëm dhe më i saktë në komunikim.
PYETJE: Mesazhi juaj për revistën tonë periodike dhe kulturore ‘’URAT’’ si një organ që promovon dhe vlerëson krijimtarinë letrare dhe kontributin intelektual të krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare.
PËRGJIGJE: “URAT” për mua është një emër domethënës sepse pikërisht ura janë ato që na duhen më shumë sot: ura mes njerëzve, ideve dhe trevave shqiptare.
Mesazhi im është të vazhdoni të ndërtoni këto ura përmes fjalës, kulturës dhe mendimit kritik. Sepse aty ku ka dialog dhe krijimtari, ka edhe shpresë për një shoqëri më të mirë.
Kur një popull guxon të ndryshojë, (kupto: qeverinë më shumë…), di ta përjetojë epokën gjithmonë si të re dhe të dobishme, po mendoja…
Pasi lexova për zgjedhjet në Hungari,
që pas 16 vjetësh humb Viktor Orbán dhe fiton opozita me Péter Magyar, desha të thosha diçka për dy shkrimtarët nobelistë hungarezë, por po e nis me pyetjen politike:
PSE FITON DHE PSE HUMB?
Po pse fitoi katër herë rresht Viktor Orbán dhe pse i humbi?
Ai vërtet është një nga figurat më dominuese në politikën evropiane të dekadave të fundit. Ai i premtoi Hungarisë stabilitet dhe rregull, sovranitet dhe identitet, subvencione për familjet, ulje taksash dhe mbështetje për klasën e mesme. Dhe i bëri, lexoj sërish.
Orban mbajti një qëndrim shumë të ashpër kundër emigracionit. Rriti kontrollin ndaj institucioneve dhe ndikimin ndaj drejtësisë, etj, etj. U fut në konflikt me Bashkimin Europian, gjë që dha ndikim negativ në ekonomi. Po kështu dhe qendrimet e tij ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë, etj, etj.
Dhe vjen lodhja nga pushteti i gjatë, konsumimi, thonë opinionistët dhe mbështetësit fillojnë të kërkojnë ndryshim. Opozita bashkohet…
Fituesi Péter Magyar vjen nga brenda sistemit, konservator i Qendrës së Djathtë dhe prandaj dhe u bë dhe më i besueshëm. Ai nuk kërkoi thjesht ndërrim qeverie, por pothuaj “ndryshim regjimi”. Hetime për mënyrën si janë përdorur fondet publike, krijime strukturash për rikthimin e pasurive të abuzuara.
Luftë serioze korrupsionit. Rikthim i demokracisë institucionale.
Pavarësi më e madhe për gjyqësorin
Fund kontrollit politik mbi mediat.
Ai premton një Hungari të lirë, europiane.
Çështje që i duhen shumë dhe Shqipërisë tonë.
16 vjetë në pushtet. Nuk duhej të ishte dhe aq e zakonshme për kohën tonë pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste.
Lidershipi duhet ndërruar, se dhe idetë dhe projektet e së mirës pasurohen… etj, etj, e mund të vazhdoja të flisja kështu si në një fushatë ekektorake…
Hungaria deshi ndryshimin sërish, Hungaria që i flet botës dhe me zërat guximtarê tê shkrimtarëve të saj. Prandaj…
Dhe desha të flas dhe unë për dy nobelistë të letërsisë moderne hungareze. Ka të bëjë me çështjen, si jo?
DY SHKRIMTARËT NOBELISTË
Imre Kertész
dhe
László Krasznahorkai.
Njëri erdhi nga burgjet dhe kampet e holokaustit, nga përvoja e vuajtjes dhe dhimbjes ekstreme të shekullit,
ndërsa tjetri nga ankthi metafizik i botës bashkëkohore tani.
Të dy kanë njeriun përballë sistemit të frikës dhe shkatërrimit të kuptimit.
Dhe ndoshta ndryshimi rinis, kur një popull guxon të rishikojë vetveten pa iluzione sërish. Dhe letërsia rilind kur njeriu nuk pranon të heshtë, kështu po thosha me vete.
Po ç’sollën këta dy shkrimtarë në Hungarinë e tyre? Folën për politikë a patriotizëm? Jo. A ishin pjesë e pushtetit? Përkundrazi. Dhe as nuk janë. Përzjehen me fushatat elektorale?…
Është më e madhe ajo që kanë bërë dhe bëjnë, më e vyer dhe më e rëndësishme përherë. Do desha të përmbledh diçka, sa mundem këtu:
1.
Imre Kertész
(1929 – 2016)
Nobel 2002
…tregoi Aushwitz dhe Buchenwald, jo me patos, por ftohtë, pothuajse si të ishte “normale” për të na thënë se absurdi dhe tmerri mund të bëhen pjesë e përditshmërisë dhe mund ta humbësh lirinë dhe identitetin në mënyrë të padukshme.
Në totalitarizëm (nazizëm dhe komunizëm), njeriu në kushte çnjerëzore, a mundet të mbetet njeri?
Kur unë shkruaja për letërsinë e burgjeve, në librin “Kartela të Realizmit të Dënuar dhe Panteoni i Nëndheshëm”, kam marrë në ndihmë dhe Imre Kertész. Sipas tij Holokausti është një përvojë universale… që nuk ndan, përkundrazi bashkon – dhe thekson se – “holokausti ka krijuar një kulturë” dhe letërsia e kësaj kulture ka nisur shumë më herët, ajo madje mundi të frymëzojë dhe Shkrimet e Shenjta, dhe tragjedinë greke – dy kolonat e kulturës evropiane – në mënyrë që realiteti i pafalshëm të mund të linde faljen ose katarsisin.
“Evropa nuk eshtë vetëm treg i perbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët. Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin” (Imre Kertész “Il secolo infelice”, – librin e kisha gjetur italisht. Shën. imi.)
2.
László Krasznahorkai
(1953)
Nobel 2025
…tregon se pushteti absolut ushqehet me heshtjen. Dhe heshtja, nëse vazhdon për një kohë të gjatë, duket si rend… Pushteti ka nevojë për heshtjen. Njeriu, jo.
Qytetari e kupton se bindja nuk e shpëton, vetëm se e zbraz.
Dhe vjen një ditë kur frika lodhet më shumë se liria.
Asnjë flamur nuk e pastron më gjakun, dhe asnjë fjalë nuk e mbulon të vërtetën.
Atëherë errësira fillon të çahet, si nga drita që vjen nga lart, dhe nga zëri që ngrihet nga poshtë.
Çfarë zërash! I dua… – MbiOpozitë – madhore.
E kam takuar László Krasznahorkai në Slloveni në një festival poezie, e kam treguar empatinë e tij për ata që vuajtën dhe shkruajtën burgjeve…
Sipas tij asnjë pushtet nuk është më i fortë se e vërteta që përpiqet ta fshehë dhe asnjë luftë nuk mund ta zhdukë plotësisht atë.
Në kohë terrori dhe rrënimi, arti mbetet i vetmi vend ku njeriu mund të shpëtojë nga gënjeshtra e pushtetit.
(Arti përballë – Terrorit apokaliptik).
Letërsia ekziston përtej çdo presioni dhe pritjeje dhe ruan shpresën… se bukuria dhe dinjiteti ende ekzistojnë.
Si shpirti. Po dhe me guximin e përditshëm për përmirësim…
* * *
A thua është dashur një letërsi tjetër që të sjellë dhe ndryshimin tjetër apo ndryshimi tjetër sjell dhe një letërsi tjetër? – po pyesja veten.
Shqipëria e postdiktaturës nuk shfaqi empati të vërtetë ndaj të përndjekurve, vuajtjes njerëzore, po edhe ndaj letërsisë që erdhi nga burgjet dhe internimet, e dënoi prapë me harresë, sidomos pushteti çaktual, i zgjatur dhe i korruptuar i bijve të Bllokut të diktaturës. Kur duhej të dënonin të kaluarën e rëndë që na lanë etërit…
A thua ka faj letërsia, që është dhe ndërgjegje dhe kujtesë? Te ne kishte faj, as nuk diskutohet më. Realizmi Socislist, kërcëllijnë dhëmbët…
Po një popull që nuk lexon? Patjetër që ka faj. Se nis me veten, me çdo vetvete. Këtu po ndal. Ndryshimi është kulturë e përbashkët.
Kjo është e sotme: e gjithë e djeshmja bie rrëmujshëm
Brenda gishtit të dritës dhe syve të ëndërrës
E nesërmja do të vijë me hapa të gjelbër:
Askush nuk e ndal dot lumin e agimit.
Askush nuk e ndal dot lumin e duarve të tua,
Të syve të ëndërrave të tua të dashuruara,
Je drithërima e kohës që përshkon
Dritën vertikale dhe diellin e errët,
Dhe qielli mbyllet mbi flatrat e tij
Duke të sjellë në krahët e mi
Me saktësi, me mirëpritje misterioze.
Prandaj unë këndoj për ditën dhe hënën,
Për detin, për kohën, për të gjitha planetet,
Për zërin tënd prej dite dhe trupin tënd prej nate.
22.03.2011
Ç’është ky lajm që më tronditi?
Ka ndërruar jetë,LUAN ÇIPI!!!
LUANI;zemëroqeani!
Oh,ta dish,sa më dhëmb xhani!
Luani me zemër fëmije
Dhe në moshë pleqërie.
Luani që për miq e shokë
T’i ndihmonte,bëhej copë.
Qe njeri me shumë virtute
Shpirti i tij mbushur “resurse”
Janë”resurse” me shumë vlera
Jo me fjalë,po me vepra.
Shquhej qysh në rini
Si njeri me shumë aftësi.
U diplomua si ekonomist
Muzikant dhe sportist.
Qe njeri me shumë merita
Dhe botoi mbi 20-libra
Qe shkrimtar e qe poet,
Eseist-ekselent!
Mbi të gjitha qe NJERI;
Qe NJERI zemërflori!
Tek po shkruaj,nuk ndihem mirë
S’i them dot:-Lamtumirë!
E ndaj dhimbjen me HANËMEN! *
SE KJO e ka të madhe dhëmbjen
Dhe me çupat e me djalin
Të rrojnë e ta kujtojnë LUANIN.
Këto vargje si ngushëllim,
Nga miku i tij,PËRPARIM!
* bashkëshortja.
-Më dhemb koka, po më plas, po më çahet…-Qe besa, kjo është mbarësi e shkuar mbarësisë. Një kokë që dhemb e çahet ka farë e mend, diç prej kambane, diç prej rrezeje dhe … acari. Jo kambanë bosh.-Oh, ç’poetikë, oh,…-Çfarë ke, u plagose? Po të lëndon AJRI, po të plagos cifla e gurit, t’i dogji sytë vet’tima, t’i… Hajde dalin shpejt nga kjo gjys’ përrallë e shkojmë nga bregu tjetër.-Mua njësoj më duken të gjitha brigjet : përralla, legjenda, heronj, dekorata, kuvende me foltore zjarri e grushtash.-Oooo, shiko, shiko, paska dal era me stetoskop, paska dal Dielli me kufje në vesh, paska çel agu me trandafil në buzë, por si…si s’i pa askush ? As unë as ti, as tjetri, as tjetra.As AJRI ?!!
“Mos u largo nga familja”, amaneti i Abaz Kupit më 1944 për djalin para arratisjes! Dy arrestimet e Fatbardh Kupit
“Jam i dehur nga urrejtja”, dëshmia e Mehmet Shehut për vrasjen e 80 nacionalistëve! Masakra në Lushnje më 1943
YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH- Nga Albert HABAZAJ
NGATËRRESË NË TRENIN BALLSH-TIRANË-Tregim nga Shkëlqim HAJNO
PREJ 800 JAVËSH ME GAZETËN LETRARE DHE KULTURORE “NACIONAL” Nga dr. Mujë BUÇPAPAJ
KJO ËSHTË E SOTME- Poezi nga PABLO NERUDA – Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ
Ka reaguar fotoreporteri Felix Bilani që u lëndua me spray nga policia: Është i ndaluar me konventa përdorimi i spray-it të ariut!
JUSUF BUXHOVI: JU TREGOJ 80 VITE JETË DHE 60 VJET KRIJIMTARI- Intervistoi: Dr. Mujë Buçpapaj
…FANTAZI ME GJALLESA – Prozë nga RUZHDI GOLE
Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit
UGSHPD: Apel NATO-s, BE-së dhe organizmave të gazetarëve IFJ, RSF, EFJ etj të ndikojnë që në Shqipëri të ndalet dhuna e egër policore kundër opozitës e gazetarëve
Kosovë- Pasuria e zyrtarëve publikë: Kush do ta verifikojë dhe a ka rrezik për ndikim politik?
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022
Komentet