Hauser e bëri violinçelin e tij të vallëzojë si vetë muzika në telat e violonçelës, por edhe në sytë dhe gjestet e spektatorëve. Ai jo vetëm interpretoi, por bëri dashuri me violinçelën e tij, në sytë e një publiku që nuk u skandalizua, por u rrëmbye në ekstazë.
Në sfond qëndronte një orkestër e gjallë, që shumëfishonte emocionin e çdo fraze muzikore të violinçelit. Kishte dhe një këngëtare të njohur,
soprania australiano-amerikane Amy Manford, zëri i së cilës e bëri skenën të kumbojë si kambanë dhe ajo që njihet si “violinistja e yjeve”, amerikania, Caroline Campbell, që hyri në dialog me violinçelin.
Në qendër të gjithë universit skenik ishte violinçela dhe Hauseri i saj. E merrte midis këmb:eve, jo si vegël muzikore, por si një grua. E përkëdhelur nga gishtat virtuozë dhe harku që herë rrëshqiste butë, si zgjatim i ethëruar i dorës dhe herë godiste me pasion të vërtetë erotik.
Meloditë vërshoni si psherëtimë, si ofshamë, si klithmë, si thirrje, si këngë – ku çdo tingull ishte një puthje, bëheshin përqafim, shpërthim ndjenjash. Dhe kur ai u shtri mbi skenë, me violinçelën sipër dukej sikur bota kishte ndryshuar gravitetin dhe ishte nënshtruar ndjeshmërisë përmbysëse të trupit artistik.
Dritat që shoqëronin shfaqjen, nuk ishin thjesht inxhineri ndriçimi, ashtu herë të zbehta si vegimet, pastaj të fuqishme si flakadanë të pasionit,
shpërthyese si një festë krijuan vallëzim dritash në harmoni me gjuhën e trupit muzikor.
Ngjyrat ndërronin nga bluja melankolike tek e kuqja e dashurisë, e blerta pranverore, e verdha e mesditave, përsipër harku i violinçelit që
zhbënte ndarje mes skenës dhe sallës.
Publiku u bë pjesë e spktaklit magjepsës. Po këndonte së bashku me violinçelën nën një dihatje të përbashkët këngë të njohura, klasike, italiane, amerikane, botërore. Dukej sikur çdo njeri në sallë mbante brenda vetes një violinçelë të padukshme që dridhej në harmoni me
shpirtin e Hauserit.
Bir i Ballkanit, jo larg Shqipërisë sime, po thosha prapë me vete.
Rrënjët kroate që zgjaten si kordat e violinçelit e shkojnë thellë në Ilirinë tonë, përzjehen… një afërsi që nuk është vetëm gjeografike, por edhe
shpirtërore. Vijmë nga ai truall i ndjeshëm e i pasionuar që ka lindur dhimbje dhe yje, tragjedi dhe artistë të shndritshëm.
Me gjak të lashtë dhe frymë moderne, Hauseri është një prej tyre – një zë që flet gjuhën e përjetshme të shpirtit me muzikë.

Lexoj që është formuar në akademitë më të mira evropiane, përfshirë Royal Academy of Music në Londër, ai ka shpërthyer skenave ndërkombëtare – fillimisht si pjesë e duetit 2Cellos, sot si artist solo, me një identitet që tejkalon kufijtë e muzikës klasike duke thyer skemat e zakonshme të interpretimit dhe i ka dhënë violinçelës jo vetëm një zë të tijin, por dhe një trup identitar.
Çfarë e bëri të papërsëritshme atë mbërmje? Po edhe marrëdhënia trupore me violinçelën, që s’ishte më një instrument, por një grua, një
dashuri, një jetë. Ai përdori atë për të prodhuar muzikë – po dhe muzikën për ta prekur atë. Dhe ajo kumboi…
Ai nuk “luan”, ai jeton me violinçelën.
Chicagos – një qytet që di të dëgjojë dhe të duartrokasë artin, ai i ofroi më shumë se një performancë klasike, por një ritual sensualiteti muzikor. Herë e ngrinte harkun si dirigjent që komandon orkestrën, herë si një shpatë, ku mundeshin të gjitha heshtjet. Violinçeli i Hauserit është dashuri, duel, përqafim, lutje dhe zjarr. Dhe magjia e tij, në Chicago apo kudo tjetër, shenjon një arritje që arrin kufijtë e legjendës.
Duartrokitjet shpërthenin si një liri kolektive, të gjithë ndjenin se kishin përjetuar jo thjesht një koncert, por një jetë, një bashkim dhe shkrirje të vetes me artin, në një padukshmëri mrekullie, një epifani ndjenje, një muzikë që prek njeriun atje ku asgjë tjetër nuk mund të arrijë.
Duhet të ishe ti këtu, bir, – mërmërisja si një violinçel i mallëngjyer. Dhe s’kisha aspak druajtjen se mund të të shikonin
lotët, ku xixëllonin shandanë ëndrrash.