Erion Braçe t’i kujtojë 21 Majin 1973, 22 Majin 1984… deri tek 26 Maji 1996
…….
E ndjek deputetin Erion Braçe – bën aktivizëm social për t’u lavdëruar dhe u jep shembull edhe deputetëve të PD që zgjohen një herë në muaj sa për të hedhur ca fishekzjarre e për të marrë përgjigje zorrat e ujit me presion dhe gazin lotësjellës të arinjve.
Sot Erioni kujtoi 26 Majin 1996.
Nuk është një ditë e bukur aspak, sepse solli 1997.
Ishim larguar nga Shqipëria dy muaj më parë, më 15 Mars 1996 dhe nuk na e merrte mendja kurrë se ish stalinistët do të riktheheshin në pushtet me dhunë, me kriminelët si Zani Çaushi me shokë, duke shkallmuar depot e armatimeve, duke protestuar me tre gishta e duke djegur zyrat e shtetit, si grusht shteti në një luftë të vërtetë civile,
por kulmi arrin sot kur kjo datë kujtohet si “revolucion për të rrëzuar regjimin kriminal të Sali Berishës që po vidhte e vriste”!
Në 21 Maj 1973 dhe 22 Maj 1984 kanë ndodhur Revolat e Spaçit dhe Qafë Barit, ku të burgosurit u ngritën kundër regjimit të zi, të cilat u shtypën me dhunë e gjak.
Erion Braçe na kujton 26 Majin 1996.
Sigurisht me plot gojën them se ato zgjedhje u manipuluan, regjimi i vjetër i kishte eksponentët e tij të shpërndarë kudo për të përfituar, për ta shkatërruar demokracinë fragile, kutitë filluan të mbushen pas bojkotit të PS, kur kjo parti që kishte ndryshuar emrin, por jo zanatet e vjetra, konstatoi humbjen.
Por ta quash një qeveri katër vjeçare, që vinte në pushtet pas gjysmë shekulli diktaturë, e që mbijetonte, pasi Ramiz Alia u la si trashëgimi “Tokën e Djegur”, është më keq se manipulim, është retushim i historisë moderne, me stilin e diktaturës.
Sikur gazeta Koha Jonë e viteve 1992-1997, sot quhet si model i shtypit opozitar, kur ishte degradim i shtypit, pasi ishte gazeta e opozitës, dmth e ish PPSH, që kishte ndryshuar emrin në PS në 13 Qershor 1991. Emrat që botonin në këtë gazetë do të bëheshin nga kryeministri, ministra e deputetë të PS ose do të viheshin në funksion të shtypit partiak të kësaj partie, pa ndryshuar zanatin dhe pa u distancuar kurrë nga krimet kundër njerëzimit, gjë kjo parti nuk e ka bërë as sot.
Ndalu Erion Braçe!
26 maji 1996 të merret në analizë, por të hiqet dorë nga retorikat manipulatore dhe rehabilituese ndaj një regjimi monstruoz, barbar, kriminal që izoloi dhe masakroi popullin e vet duke e çuar në vëllavrasje.
Qeveria e parë demokratike në Shqipërinë post komuniste startoi në 22 Mars 1992 – 26 Maj 1996 – pas pesë dekada totalitarizëm, kur edhe sot janë 6000 viktima që nuk u gjenden eshtrat.
Erion Braçe e quan qeverinë e parë të dala nga zgjedhjet e lira demokratike “regjim kriminal” –
Po si do ta quash regjimin e Edvin Ramës që ta ka transformuar Shqipërinë në narkoshtet, që i deporton shqiptarët –
Po diktaturën staliniste prej 29 Nëntorit 1944 deri 22 Mars 1992.
Erion Braçe duhet të llogaritë se sa kanë në pushtet komunistët, ish komunistët dhe trashëgimtarët e tyre.
E ashtuquajtura qendra e djathtë ka qeverisur prej 22 Marsit 1992-Mars 1997 dhe prej 2005 deri 2013, të tjerat i ka qeverisur partia e Erion Braçes,
por nuk duhet të harrohen të llogariten edhe kryetarët e bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe Erion Veliaj me bisht 25 vjet!
Unë do të rebelohesha dhe do të rebelohem
se si PD e Shqipërisë, nuk realizoi sikur shtetet e Europës Lindore, dënimin e krimeve të diktaturës komuniste,
se si lejoi rehabilitimin e nomenklaturës diktatoriale
dhe po ashtu lejoi që trashëgimtarët e tyre,
pa u distancuar nga bëmat e etërve, kanë uzurpuar pushtetin politik për t’a zhvatur, shpopulluar e degraduar këtë vend.
Shqipëria është nën nivelin zero!
Filloni nga maji, nga revolta e Spaçit dhe revolta e Burgut të Qafë Barit!
Filloni nga jeta e atyre fëmijëve që lindën, u rritën, u martuan nëpër Kampet e Internimeve, pa kryer asnjë krim.
Mendo për vajzën tënde Erion Braçe dhe fëmijët tanë të lindur në Perëndim, që nuk e kanë ndjerë erën e Atdheut të tyre!