VOAL

VOAL

Ekspozitë për dy poetët e pushkatuar, nga stilolapsi deri te plumbi i gjetur mes dy kafkave Nga Rexhep Polisi

July 13, 2022

Komentet

Të largohen posterët e politikanëve!- Nga FLORIM ZEQA

 

Edhe pse kanë kaluar pesë muaj nga zgjedhjet e fundit parlamentare, në qytetet e Kosovës ende janë prezente posterët e politikanëve, të atyre që i morën votat dhe u futen në Kuvend, por edhe të atyre që nuk arritën t’i shijojnë privilegjet e një legjislature të pakonstituuar!

 

Ngufatje e hapësirave publike me figura të urryera nga qytetarët

 

Jam në përfundim të muajit të dytë të pushimeve në vendlindje. Nga do që po shkoj po kënaqem dhe po zhgënjehem njëkohësisht. Kënaqësinë ma dhurojnë sjelljet e njerëzve të mirë dhe atdhetarë, kurse “zhgënjimi” më vjen nga posterët e mbetur të politikanëve në vendet publike të qyteteve tona, prezenca e të cilëve është një hyrje, kudo në brendi dhe në dalje të qyteteve tona!

Prezenca e posterëve të figurave politike, e atyre që edhe pesë muaj pas zgjedhjeve nuk po arrijnë ta konstituojnë organin ligjvënës, përveqse irrituese për syrin e qytetarëve, paraqet torturë psiqike për rreth 900 mijë votues kosovarë, të cilët, në radhë të parë kanë votuar për mirëqenjen e tyre dhe përspektivën zhvillimore të vendit, por jo për privilegjet e një grupi të vogël politikanësh që e kanë zënë peng Kuvendin e Kosovës për kalkulime personale!

Kjo klasë e papërgjegjshme e politikanëve, tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës, që përveq pagave të majme mujore, i përfitojnë edhe meditjet poashtu të majme (të barasvlefshme me pagën minimale në vend) për 2-3 minuta të qëndrimit pasiv në ulëset e tempullit të demokracisë!

 

 

 

Zhvendosja nga politika drejt përspektivës zhvillimore

 

Tema e sotme nuk janë dëmët që po i shkaktojnë buxhetit të shtetit deputetët e një legjislature të pakonstituar, por prezenca e tyre vizuele në hapësirat publike të qyteteve tona.

Secili qytetarë apo edhe mërgimtarë që i vëren posterët e deputetëve bllokues të institucioneve shtetërore në vendet publike të qyteteve tona nuk mund ta ndjejë veten mirë!

Ka edhe të atillë që ndjejnë edhe simpati për disa nga figurat e parlamentit të pakonstituuar, por shumica prej tyre ofshajnë dhe mallkojnë deri në ‘kupë të qiellit’, duke u betuar para fotove të tyre: “Më nuk do t’ju votojmë”!

Në të gjitha vendet demokratike, por edhe të rajonit është e rregulluar me ligj ‘koha e vendosjes dhe e heqjes së posterëve të kandidatëve për deputet’, përveq në Kosovën e paradokseve të mëdha, ku nuk funksionon Ligji dhe as Kanuni (ligjet zakonore)!

Në fakt, janë të fortët e politikës që e bëjnë ligjin në këtë vend. Ashtu siq e kanë bllokuar konstituimin e Kuvendit, e kanë ngufatur funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe të jetës institucionale në Kosovë.

 

Logjika e të menduarit pozitiv e shtron nevojën e largimit e të gjithë posterëve nga zgjedhjet e kaluara, për t’ua liruar frymarrjen qytetarëve të zhgënjyer në këta deputet, të cilët vetëm për pesë muaj u bën sinonim i së keqës, bllokues të Kuvendit dhe zhvatës të buxhetit të shtetit pa e bërë asnjë punë të mirë për vendin dhe qytetarët.

 

Në vend të posterëve të politikanëve, të vendosen poster të produkteve vendore, poster të vendeve turistike dhe arkeologjike, poster të florës dhe faunës, pse jo edhe të figurave të shkencës dhe kulturës që na bëjnë krenar që jemi shqiptarë.

 

Florim Zeqa, 10 Korrik 2025

Çfarë mësimesh për botën jep pritja 30-vjeçare për drejtësi në Srebrenicë?

Në Bosnje e Hercegovinë shënohet më 11 korrik përvjetori i tridhjetë i gjenocidit në Srebrenicë.

 

Xhenana Halimoviq, Ray Furlong

Çdo vit, Nermin Qatiq kthehet në Bosnje e Hercegovinë nga shtëpia e tij në Suedi, për të hapur shtëpinë e vjetër të familjes, e cila tani është bosh.

Ai pret tash e tri dekada që të gjenden eshtrat e vëllait të tij.

Nëna e tij kaloi 26 vjet duke u përpjekur t’i gjente ato dhe vdiq pa ndonjë përgjigje.

“Sa gjatë zgjat shpresa? Sa shumë mund të durojë shpresa? Kam frikë se do ta humb shpresën para se të kaloj në botën tjetër”, thotë Qatiq për Radion Evropa e Lirë.

As trup. As drejtësi.

Është një histori që Qatiq dhe mijëra familje të tjera në Bosnje vazhdojnë ta përjetojnë edhe 30 vjet pasi forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë në qytetin e Srebrenicës.

Krimi është i vetmi gjenocid i pranuar në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Përmasat dhe brutaliteti i vrasjeve në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë – një enklavë nën kontrollin e boshnjakëve, ku dhjetëra mijëra njerëz ikën për t’u strehuar nga forcat serbe të Bosnjës – tronditën botën dhe çuan në disa dënime të profilit të lartë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e njohur gjithashtu si Tribunali i Hagës.

Në mesin e të dënuarve me burgim të përjetshëm është komandanti i atëhershëm i forcave serbe, Ratko Mlladiq, i gjetur fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Por, kjo ishte vetëm maja e ajsbergut.

Ndërsa bota shënon 30-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, ata që punuan për të sjellë drejtësi, thonë se ka shumë mësime për t’u nxjerrë.

E, këto mësime do të vlejnë edhe për vende si Ukraina, ku prej më shumë se tre vjetësh ka shumë dhunë dhe mizori, për shkak të pushtimit rus.

Pak drejtësi për viktimat e Srebrenicës

“Shumë pak njerëz [në Bosnje] ishin të kënaqur me sistemin gjyqësor”, thotë Janine di Giovanni, udhëheqëse e The Reckoning Project – një organizatë që bashkon gazetarë dhe avokatë për të mbledhur prova dhe për të çuar kriminelët e luftës para drejtësisë.

“Njerëzit që kryen vrasje, hapën varre, vranë, përdhunuan, shkatërruan jetë dhe familje, shkatërruan shoqërinë e Srebrenicës – shumica e tyre shëtisin ende përreth”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Tribunali i Hagës dënoi gjithsej 18 persona – pesë prej të cilëve me burgim të përjetshëm – për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.

Geoffrey Nice, i cili udhëhoqi përndjekjen e ish-udhëheqësit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, në Hagë, mendon gjithashtu se procesi gjyqësor dështoi.

“Unë mendoj se, në përgjithësi, përfundimi mund të jetë se drejtësia nuk është arritur, ose nuk është arritur në mënyrën që duhej”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Historia nuk do ta gjykojë procesin me mirësi, por mund të ketë mirëkuptim. Dy tribunalet, për Ruandën dhe për ish-Jugosllavinë, ishin krejtësisht të reja, pa asnjë precedent”, thotë Nice.

A mund të bëjë ndonjë ndryshim Gjykata Ndërkombëtare Penale?

Situata sot është ndryshe – me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), të themeluar në vitin 2002, si një organ i përhershëm që i zëvendësoi tribunalet e përkohshme.

Ajo duket se po e tregon fuqinë e saj, duke nxjerrë aktakuza për krime lufte ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Por, Nice nuk beson se ato do të çojnë ndonjëherë në dënime, pasi, sipas tij, konfliktet në Ukrainë dhe Gazë, me gjasë, do të përfundojnë me marrëveshje politike.

“Marrëveshja, pashmangshëm, do të përfshinte si klauzolë të parë – në të dyja rastet – që presidenti Putin ose kryeministri Netanyahu nuk do të gjykohen për asnjë vepër të dyshuar penale”, thotë ai.

Nice shton se kritikat e ashpra ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale nga ana e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, mund ta dobësojnë aftësinë e saj për të funksionuar, dhe se një qasje shumë më e mirë do të ishte përqendrimi në përdorimin e gjykatave kombëtare.

Në fakt, gjykatat në Bosnje shqiptuan më shumë aktgjykime për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë sesa Tribunali i Hagës.

Deri më tani, ato dënuan 27 ish-pjesëtarë të forcave serbe të Bosnjës për krime të kryera në Srebrenicë – përfshirë 14 për gjenocid.

Di Giovanni, e cila raportoi nga Srebrenica si gazetare në kohën e gjenocidit, pajtohet se gjykatat kombëtare mund të luajnë një rol kyç.

“Ukraina është ndryshe, sepse Ukraina – para së gjithash – ka pasur një sistem gjyqësor shumë të fuqishëm”, thotë ajo.

“Gjykatat lokale në Ukrainë janë ndoshta më të konsiderueshme, marrë parasysh federalizimin e Bosnjës pas luftës. Ai [në Bosnje] është një nga sistemet më jofunksionale në botë”, sipas saj.

Autoritetet ukrainase thonë se kanë lëshuar 679 padi për krime lufte dhe kanë shqiptuar 188 dënime.

Ato përfituan nga ekspertiza dhe përvojat e fituara në institucione ndërkombëtare si Gjykata Ndërkombëtare Penale.

“Shumë nga prokurorët që punojnë sot në Ukrainë, kanë qenë të përfshirë në drejtësinë ndërkombëtare në Kamboxhia dhe Sierra Leone. Kemi mësuar shumë gjatë këtyre 30 vjetëve që nga Srebrenica”, thotë Di Giovanni.

Burimet e shpresës

Një zhvillim tjetër gjatë kësaj kohe është edhe përdorimi i juridiksionit universal, sipas të cilit, krimet në një vend gjykohen diku tjetër.

Në qershor, një gjykatë gjermane e dënoi me burgim të përjetshëm një mjek sirian, Alaa Mousa, i cili torturonte të burgosur nën regjimin e presidentit të Sirisë, Bashar Al-Assad.

Në prill, organizata që udhëheq Di Giovanni, e ndihmoi një burrë ukrainas të ngrinte padi në një gjykatë argjentinase kundër rusëve të identifikuar dhe të paidentifikuar për torturimin e tij.

Ajo thotë se mësimi kryesor i nxjerrë, është rëndësia e mbledhjes së provave herët.

Dhe kjo tashmë po zbatohet në Ukrainë, thotë Di Giovanni.

“Ne mbledhim prova për krime lufte derisa lufta është ende duke vazhduar. Dhe kjo është shumë ndryshe nga ajo që ndodhi në vitin 1995… Dëshmitë [në Bosnje] nuk u morën deri shumë kohë pas përfundimit të luftës”, thotë ajo.

Këto janë burime shprese për drejtësi në vende të tilla si Buça e Ukrainës, ku forcat ruse vranë qindra civilë.

Ukraina i ka kërkuar tashmë Gjykatës Ndërkombëtare Penale t’i hetojë krimet e dyshuara të luftës.

Por, tani mund të jetë shumë vonë për Nermin Qatiqin nga Srebrenica.

Vëllai i tij, Nihad Nino Qatiq, ishte gazetar që raportoi për herë të fundit nga Srebrenica – përpara se qyteti të pushtohej nga forcat serbe të Bosnjës.

“Srebrenica po shndërrohet në kasaphanën më të madhe. Të vdekur dhe të plagosur vazhdojnë të sillen në spital. Është e pamundur të përshkruhet. Çdo sekondë, tri predha vdekjeprurëse bien mbi qytet… A është dikush në botë që mund të vijë dhe të jetë dëshmitar i tragjedisë që po ndodh në Srebrenicë dhe me njerëzit e saj?”, ishin fjalët e fundit të raportit të tij të fundit.

Nino iu bashkua mijëra njerëzve që ikën kodrave, me shpresën se do të arrinin në një vend të sigurt, por ai nuk u pa më kurrë.

Tridhjetë vjet më vonë, eshtrat e shtatë trupave të tjerë u varrosën më 11 korrik në Srebrenicë.

Megjithatë, familjet e rreth 1.200 viktimave të Srebrenicës – eshtrat e të cilave ende mungojnë – vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

Ashtu edhe Nermin Qatiq.

Më shumë se 1.000 km në lindje, ukrainasit vëzhgojnë dhe pyesin veten nëse do të arrijnë të shmangin të njëjtin fat.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Thethi shembet, Tirana zhbëhet: kur shteti ndëshkon të dobëtin dhe shpërblen klientin- Nga ALBA KEPI



Shteti që shemb një shtëpi prej guri në Alpe nuk guxon të prekë një kullë prej çeliku në Tiranë.

Në një nga perlat e Alpeve shqiptare, Thethin, këtë të mërkurë u regjistrua një tjetër përplasje mes banorëve dhe shtetit. Policia u përplas me qytetarët për të zbatuar urdhrin e shembjes së disa ndërtimeve pa leje në një zonë me potencial të lartë turistik.

Banorët, në të shumtën e rasteve vendas që prej brezash jetojnë e mbijetojnë në këtë territor të vështirë, po akuzohen për “cenim të territorit”, ndërkohë që kërkojnë të mbajnë frymën gjallë të turizmit malor dhe ekonomisë familjare.

Ndërsa në Theth ndërhyrjet ndodhin me brutalitet dhe pa një strategji sociale apo mbështetje alternative, në Tiranë ndodh e kundërta: jo vetëm që nuk shembet asgjë, por ndërtohet pa kriter, shpesh në shkelje flagrante të ligjit, mbi prona publike, zona historike e trashëgimi kulturore, me një shpejtësi dhe arrogancë që flet qartë për kapjen e qytetit nga interesat e klientelës dhe oligarkisë urbane.

Ky kontrast midis ashpërsisë në Theth dhe heshtjes në Tiranë është më shumë se një padrejtësi: është një model pushteti që e përdor ligjin si mjet kontrolli mbi të dobëtit, ndërsa i lejon të fortët të bëjnë ç’të duan.
Shteti që shemb një shtëpi prej guri në Alpe nuk guxon të prekë një kullë prej çeliku në Tiranë, ndonëse e ndërtuar mbi abuzim pronësie apo me burime të dyshimta financiare. Në një vend ku shteti ngrihet me gjithë fuqinë kundër banorëve të një fshati, por hesht përballë ndërtuesve të lidhur me politikën, nuk kemi më as shtet ligjor, as drejtësi sociale, as zhvillim të drejtë.

Ky është realiteti i sotëm: shteti shqiptar ndëshkon atë që ndërtues nuk ka tjetër përveç tokës dhe shpresës, ndërsa shpërblen me heshtje ata që ndërtojnë me para, pushtet dhe ndikim politik. Shkatërrimi i Thethit është brutal; shkatërrimi i Tiranës është genovid urban: i heshtur, por sistematik.

Në fund, të dyja janë forma të së njëjtës padrejtësi. Dhe historia do të kujtojë se kur Shqipëria kishte mundësi të zgjedhë midis mbrojtjes së trashëgimisë dhe pasurimit të pushtetit, ajo zgjodhi këtë të fundit.

Sipas të dhënave nga organizatat për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe urbanistike, mbi 60% e godinave me vlerë arkitektonike në Tiranë janë shembur ose zëvendësuar që nga viti 2015, ndërkohë që çdo vit miratohen dhjetëra leje ndërtimi në zona që më parë ishin të mbrojtura. Komiteti Shqiptar i ICOMOS ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për rrezikun e shkatërrimit të ADN-së urbane të kryeqytetit, por askush nuk dëgjon. Kur zëri i qytetarëve heshtet nga betoni, historia shuhet pa gjurmë.

Kur Kryeministri flet për reforma për territorin, ujin, mbetjet dhe spitalet, i kujtojmë se betoni në Tiranë po ecën më shpejt se çdo plan urban, ndërsa mbrojtja e peizazhit malor të Shqipërisë po bëhet me fadromë.

“Shqipëria 2030 në BE” nuk mund të ndërtohet mbi simetri gjeografike të padrejtësisë: male që pastrohen me polici, qytete që ndërtohen me heshtje dhe korrupsion.

Thethi meriton mbrojtje, Tirana meriton drejtësi

Nëse shteti kërkon legjitimitet, duhet të vendosë drejtësi njësoj në veri dhe në jug, në qytet dhe në fshat. Thethi nuk është armik i ligjit – është kujtesë e shpirtit shqiptar. Ndërsa Tirana nuk është metropol modern – por një laborator i betonizimit pa rregulla.

Kostelacionit të përmendoreve në qytetin e Kavajës iu bashkua ajo e dëshmorit të parë të demokracisë shqiptare Josif Buda- Nga HYSEN ARAPI

Kostelacionit te permendoreve ne qytetin e Kavajes iu bashkua dhe ajo më e reja e deshmorit te pare te demokracise shqiptare Josif Buda.
Krahas Indrit Cares ,ai do te jete tashme si nje deshmi e gjalle e rezistences epike te atij qyteti ne lufte kunder diktatures komuniste.
Kavajes i mungojne ende vlerësimi i figurave qe kanë bere histori me aktet e tyre ne dobi te kombit tone, ku mund te veçoj ndertimin nje permendoreje( obelisk) dinjitoze, ku te jene skalitur emrat e mbi 170 deshmoreve dhe te tjereve nga treva e saj ,qe dhane jeten në mbrojtje të Shkodres ,ne luften 7 mujore ,me te madhen e me te lavdishmen në historine tonë të re .
Ata që kishin vleresimin maksimal te komandanteve te tyre legjendarë Hasan Riza Pasha e Esad Pashë Toptani,u caktuan te mbronin drejtimin me te veshtire te mesymjes se armikut serbo—malazes :Tuz – Koplik-Shkoder , lane me gjakun e tyre cdo pellembe tokë shqiptare.Ata meritojnë vleresim maksimal dhe perjetesim.
I paharruar deshmori i pare i demokracise Josif Buda!
Te paharruar heroi Indrit Cara dhe luftetaret trima kavajas qe dhane jeten per clirimin dhe mbrojtjen e trojeve tona respektivisht ne Kosovë (mars 1999) e ne Shkoder(Tetor 1912-Prill1913)!

Masakra e Srebrenicës, 30 vite nga gjenocidi ndaj boshnjakëve! Krimi më i rëndë në Evropë që nga viti 1945

Më 11 korrik të vitit 1995 trupat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.000 boshnjakë. Ishte gjenocid dhe krimi më i rëndë në Evropë që nga viti 1945. Bota i pa ngjarjet por ato nuk janë zbardhur si duhet.

Kur trupat e gjeneralit serb të Bosnjë-Hercegovinës, Ratko Mladiç, kryen gjenocid kundër boshnjakëve nga enklava e atëhershme dhe zona e mbrojtur nga OKB-ja e Srebrenicës në korrik 1995, imazhet e tmerrit dhe dështimit ndërkombëtar pothuajse menjëherë u përhapën në mbarë botën: imazhe të mijëra refugjatëve të pafuqishëm në bazën e OKB-së në Potoçari, imazhe të ndarjes së grave, fëmijëve dhe burrave, imazhe të komandantit të poshtëruar holandez të UNPROFOR-it, i cili i ngre dolli Mladiçit.

Në ditët para gjenocidit, mesazhe të dëshpëruara vinin nga radioamatorët nga Srebrenica. Edhe gjatë vrasjeve masive, dëshmitarët e parë të mbijetuar të marshimit të vdekjes raportuan për ndjekjen e njerëzve dhe tmerret në pyjet përreth Srebrenicës.

Edhe pse dimensionet e sakta të krimit për sa i përket numrit të njerëzve të vrarë, nuk ishin përcaktuar ende në korrik 1995, ishte tashmë e qartë se Srebrenica shënonte kulmin e tmerrshëm të politikës serbe të spastrimit etnik në Bosnjë-Hercegovinë. Dhe se një nga krimet më të këqija që nga Holokausti u krye atje. Një krim, i cili, duhet pranuar, nuk u krye me dijeninë e plotë të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare. Por ata nuk bënë gjë – në një kohë kur motoja e kulturës evropiane të kujtesës ishte: “Kurrë më!”

Një tjetër vuajtje

Më 11 korrik të këtij viti, në ditën e përkujtimit të gjenocidit, dhjetëra-mijëra vetë pritet të mblidhen në Qendrën Memoriale të Potoçarit pranë Srebrenicës – më shumë se kurrë më parë, me rastin e 30-vjetorit. E hapur në vitin 2003, Qendra Memoriale në Srebrenicë është një vend prekës, por dinjitoz përkujtimi.

Mbetjet e afërsisht 7,000 nga 8,372 viktimat e gjenocidit, emrat e të cilëve janë identifikuar deri më tani, janë varrosur në varreza. Është vendi më i rëndësishëm i përkujtimit për të mbijetuarit. Megjithatë, dinjiteti i kujtesës është i përzier me hidhërim për shkak të shumë gjërave që ndodhën pas vetë krimit. Kjo është diçka që mund të quhet vuajtje e dytë.

Emri i qytetit, Srebrenicë, u bë sinonim për vetë krimin. Ekziston një konsensus i gjerë ndërkombëtar se ishte gjenocid, pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) e përcaktoi këtë dhe e dokumentoi gjerësisht në disa vendime.

Në vitin 2024, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, duke riafirmuar natyrën gjenocidale të krimit.

Mohimi dhe relativizimi

Megjithatë, nëSerbi dhe Republikën Srpska, të cilat ishin përgjegjëse për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit, mohimi dhe relativizimi i fortë i krimit tani janë politikë shtetërore.

Në vitin 2010, parlamenti serb miratoi një deklaratë duke kërkuar falje për krimin në Srebrenicë, por pa përdorur fjalën “gjenocid”. Që atëherë, politika serbe nën presidentin Aleksandar Vuçiç është përkeqësuar ndjeshëm dhe është distancuar nga ky gjest.

Vuçiç ishte ministër i informacionit nën diktatorin Slobodan Milosheviç në vitin 1995, dhe më 20 korrik 1995, ndërsa gjenocidi ishte ende në vazhdim, ai deklaroi në parlamentin e Beogradit se “për çdo serb të vrarë, njëqind myslimanë (boshnjakë) do të vriteshin”, një deklaratë për të cilën ai ende nuk ka kërkuar falje.

Sot Vuçiç përhap narrativën se “të gjitha palët vuajtën” në luftërat jugosllave, por se vetëm serbët nuk njihen si viktima.

Krimineli i luftës Mladiç – hero për shumë serbë

Në Republikën Srpska, presidenti Milorad Dodik mblodhi një komision, të udhëhequr nga eksperti izraelit i Holokaustit, Gideon Greif, i cili në vitin 2021 publikoi një raport që mohonte gjenocidin dhe hidhte dyshime serioze mbi numrin e viktimave.

Fytyra e Ratko Mladiç, i dënuar si kriminel lufte, tani mund të shihet në grafite, murale, postera dhe fotografi të shumta në Republikën Srpska dhe Serbi – shumë serbë e konsiderojnë atë hero.

Çdo vit, në festa dhe ditë të ndryshme përkujtimore serbe, nacionalistët serbë kalojnë pranë monumentit në karvane, duke rënë borive ose duke luajtur muzikë të lartë nacionaliste.

Në ceremonitë e para mortore që nga fillimi i mijëvjeçarit, të mbijetuarit që varrosnin të dashurit e tyre pështyheshin nga nacionalistët serbë, pa ndërhyrjen e policisë. Kryetarët e bashkive serbe të Srebrenicës pas vitit 1995 e mohuan gjenocidin në një mënyrë ose në një tjetër.

Kryetari aktual i bashkisë, Milosh Vuçiç, e sheh fitoren e tij zgjedhore në tetor 2024 si “një përgjigje ndaj rezolutës së OKB-së” të miratuar disa muaj më parë.

Ligji kundër mohimit të gjenocidit

Hungaria e Viktor Orbánit është bashkuar gjithashtu në radhët e mohuesve të gjenocidit: Së bashku me Serbinë dhe Rusinë, Hungaria ishte i vetmi shtet anëtar i BE-së që votoi kundër rezolutës së OKB-së për Srebrenicën në korrik 2024.

Në korrik 2021, Përfaqësuesi i Lartë i atëhershëm i bashkësisë ndërkombëtare për Bosnjë-Hercegovinën, Valentin Inzko, miratoi një ligj kundër mohimit të gjenocidit në Srebrenicë. Megjithatë, u deshën pothuajse katër vjet që vendimi i parë kundër mohuesve të gjenocidit të jepej në maj 2025.

 Vetëm një kërkim i sinqertë faljeje

Bashkësia ndërkombëtare ka ofruar vetëm një kërkim falje të sinqertë për bashkëpërgjegjësinë e saj për Srebrenicën: në korrik 2022 nga qeveria holandeze.

Qeveria kërkoi falje për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit e gjenocidit për shkak të “dështimit të bashkësisë ndërkombëtare për të ofruar ndihmë të përshtatshme për popullin e Srebrenicës”.

Edhe pse padyshim nuk është provuar, është shumë e mundshme që bashkësia ndërkombëtare të ketë ditur për planet konkrete për spastrimin etnik në Bosnjën lindore në verën e vitit 1995 dhe t’i ketë pranuar ato në heshtje si çmim për suksesin e negociatave të paqes. Nuk ka njohje të kësaj – edhe nëse në atë kohë ndoshta askush në nivel ndërkombëtar nuk mund ta kishte menduar se ishte gjenocid.

Kultura e kujtesës mungon

Për boshnjakët, përkujtimi i gjenocidit në Srebrenicë është një komponent themelor i identitetit të tyre kombëtar dhe një moment kyç për vendin e tyre.

Megjithatë vetëdija e shumë përfaqësuesve të shtetit boshnjak zakonisht nuk shkon përtej pranisë së detyrueshme në Qendrën Përkujtimore në Potoçari çdo 11 korrik.

Shumica e të mbijetuarve të gjenocidit jetojnë në kushte modeste, ndonjëherë shumë të varfra dhe të margjinalizuara. Vetëm gratë që e kanë mbijetuar këtë gjenocid dhe të cilat nuk kanë të afërm meshkuj që kanë mbijetuar, marrin mbështetje shtetërore.

Të gjithë të tjerët nuk kanë statusin ligjor të të mbijetuarve dhe nuk kanë marrë kurrë ndihmë nga shteti, as materiale dhe as psikologjike.

Ndoshta më e vështira për të mbijetuarit është se edhe 30 vjet pas gjenocidit dhe pavarësisht Rezolutës së OKB-së të vitit 2024, Srebrenica ende nuk ka një vend të përhershëm në kulturën evropiane të kujtesës.

Një shembull i kësaj është Dita Evropiane e Përkujtimit për Viktimat e të Gjitha Regjimeve Totalitare dhe Autoritare. Që nga viti 2009, kjo ditë është festuar në BE më 23 gusht, ditën në të cilën u nënshkrua Pakti Hitler-Stalin në vitin 1939.

Komisioni Evropian publikon një deklaratë në atë ditë çdo vit. Srebrenica nuk është përmendur në të deri më tani./DW/

Bosnje: Varrosen shtatë viktima në 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës

Dy gra në Potoçari duke pritur nisjen e varrimit të shtatë personave në 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë.

 

Radio Evropa e Lirë

Më 11 korrik, në Qendrën Përkujtimore në Potoçari do të varrosen shtatë viktima të gjenocidit të Srebrenicës. Viktimat më të reja janë Senajid Avdiq dhe Hariz Mujiq, të cilët ishin 19 vjeç kur u vranë në korrik të vitit 1995.

Përveç tyre, do të varrosen edhe Rifet Gabeliq, Hasib Omeroviq, Sejdalija Alliq dhe Amir Mujçiq. Viktima më e moshuar, dhe e vetmja grua që do të varroset këtë vit, është Fata Bektiq, e cila ishte 67 vjeç në korrik të vitit 1995.

Më herët është paralajmëruar se në shënimin e 30-vjetorit të gjenocidit pritet të marrin pjesë mbi 150 mijë persona.

Shumë delegacione kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në Potoçari, përfshirë edhe një nga Kosova.

Në Bosnje e Hercegovinë tashmë ka arritur një delegacion i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, i udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së ndihmëssekretarit amerikan për Evropë dhe Euroazi, Brandon Hanrahan, si dhe dukesha e Edinburgut, Sophie Helen Rhys-Jones, ministrat e jashtëm të Suedisë dhe Danimarkës, dhe nënsekretarja e Kombeve të Bashkuara për Çështje Politike dhe Ndërtim Paqeje.

Në Qendrën Përkujtimore Srebrenicë-Potoçar janë varrosur deri më tani 6.765 persona, ndërsa rreth 250 viktima të tjera janë varrosur në vende të tjera, sipas dëshirës së familjarëve.

Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska – entitet serb – vranë rreth 8.000 burra dhe djem në Srebrenicë dhe rrethinë në korrik të vitit 1995, çfarë është cilësuar si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendore.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007, konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë – që ishte zonë e mbrojtur nga OKB-ja – ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

E njëjta gjykatë e shpalli Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit dhe për shkeljen e obligimit për ndëshkimin e kryerësve të tij.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në maj të vitit të kaluar, miratoi një rezolutë me të cilën 11 korriku shpallet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Para gjykatave të ndryshme, deri më tani janë dënuar mbi 50 persona për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë, me mbi 700 vite burgim.

Ndër të dënuarit me burgim të përjetshëm janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq.

Gjatë luftës në vitet e 90-ta në Bosnje e Hercegovinë janë vrarë mbi 100.000 njerëz, janë zhdukur mbi 32.000, dhe ende po kërkohen eshtrat e 7.600 personave – mes tyre ende rreth 1.000 viktima të pagjetura pas gjenocidit në Srebrenicë.

Tragjedia e heshtur e Srebrenicës: Qindra nëna vdesin pa parë drejtësi

 

Tridhjetë vjet pas gjenocidit në Srebrenicë, shumë familje jetojnë ende në pritje të dhimbshme – duke kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë.

Nëna si Hajra Qatiq kaluan gjithë jetën duke kërkuar fëmijët e tyre të zhdukur, por vdiqën pa i gjetur dhe pa marrë përgjigje.

Gjenocidi i Srebrenicës ose Tragjedia e Bosnjës është një krim lufte i zbatuar në korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u vranë më shumë se 8,000 boshnjakë myslimanë, kryesisht burra dhe djem të moshës 12 deri 77 vjet.

Gjenocidi është zbatuar në rajonin e Srebrenicës nga Ushtria e Republikës Serbe nën udhëheqjen e gjeneralit Ratko Mlladiq, duke përfshirë njësinë paraushtarake “Škorpioni” (Akrepat), e cila ishte pjesë e Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë, si dhe disa qindra vullnetarë grekë dhe rusë.

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka marrë vendimin që masakra e Srebrenicës të njihet si gjenocid./ REL

Gjenocidi në sytë e një fëmije: “Rri pranë meje, mos u ndaj as edhe një sekondë”

Miran Jellenek

 

Në korrik të vitit 1995, Ademi ishte vetëm tetë vjeç. Sot, kujton kohën kur, bashkë me nënën dhe motrën më të vogël, u detyruan të largoheshin nga fshati i tyre, Sastavci, afër Srebrenicës. Kujton autobusët, kamionët dhe momentin kur, me të arritur në Potoçari – zonë e mbrojtur atëkohë nga Kombet e Bashkuara – një ushtar i Ushtrisë së Republikës Sërpska u përpoq ta ndante nga nëna. Në atë kohë, burrat dhe djemtë ndaheshin me forcë nga gratë dhe vajzat. Shumë prej tyre u vranë – në një krim që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e cilësoi si gjenocid në vitin 2007. (Përgatitën: Valona Tela dhe Bujar Tërstena)

 

 

Soji i Lenkave!- Nga IRENA BEQIRAJ

Lenka me kecat ne dy duar ( kopja ), deputetja Koçeku ka thenë :
“Dje ne Theth u prek nji plagë që po thellohej dita ditës e që lidhet me identitetin dhe estetiken tone kulturore e natyrore. Plaga e ndërtimeve pa identitet, pa historik e pa miratim ligjor…..Kryeministri @ediramaal dhe Kryetari @becibenet kane ba nji ndërhyrje të domosdoshme në mbrojtje te fshatit Theth”
Shoqja Lenka ( origjinalja ) qe mbidhte pambuk me dy duar dikur ka thenë :
“Ky artikull ( shkrimi I Enverit) e ka goditur brinjë më brinjë Papën. Sidomos kur thuhet se Shqipëria nuk është Polonia dhe Papës së tanishëm shqiptarët ia kanë vënë kufirin te thana, ashtu siç ia kanë vënë në kohën e Duçes e papëve të tjerë, që bekonin fashizmin e bashkëpunonin me të për të sulmuar e grabitur popujt !
Për të gjithë ” intelektualët” nga Librazhdi deri Strasburg që u prekën kur krahasova Kocekun me Lenkën se donin të besonin se të punësuarit e autoritarizmit të sotëm ndryshojnë nga ato të autoritarizmit te djeshëm kam sërisht te njejtën thënie të vjetër për t’ju kujtuar :
Fisi fis, rigoni nuk bëhet lis !

Rreziku i një situate të paprecedentë në Kosovë pas afatit të 26 korrikut

Bekim Bislimi

Situata në Kosovë mbetet e bllokuar, ndërsa heqja e mandateve të deputetëve – një opsion i përmendur në rast të moskonstituimit të Kuvendit deri më 26 korrik – nuk konsiderohet e realizueshme. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse ky afat shkelet, vendi do të përballet me një krizë politike dhe juridike të panjohur më parë.

Askush nuk ka përgjigje të qartë se çfarë do të ndodhë në Kosovë pas 26 korrikut – datë kur skadon afati prej 30 ditësh që Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin.

Deri tani, përpjekjet për formimin e këtij institucioni ligjvënës kanë dështuar 44 herë.

Partitë politike vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për ngërçin dhe të mos lëvizin nga qëndrimet e tyre.

Në këtë atmosferë bllokade, ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjyljeta Mushkolaj, thotë se barra e përgjegjësisë duhet të kalojë tani mbi presidenten e vendit, Vjosa Osmani, e cila e ka detyrë kushtetuese të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve.

Sipas saj, e para e shtetit duhet t’i intensifikojë përpjekjet për arritjen e një konsensusi mes partive politike, dhe nëse kjo dështon, të kërkojë interpretim shtesë nga Gjykata Kushtetuese, për të qartësuar hapat e ardhshëm.

“Gjykata Kushtetuese duhet të jetë më e prerë rreth afatit që e ka përcaktuar dhe pasojave që vijnë pas këtij afati. Roli i Gjykatës Kushtetuese nuk ka përfunduar ende”, thotë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Javën e kaluar, presidentja Osmani priti për dy ditë me radhë përfaqësuesit e partive politike, në përpjekje për të zhbllokuar situatën.

Pas takimeve, ajo u shpreh qartë se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, është “detyrim e jo opsion” dhe u bëri thirrje partive që sa më shpejt të gjejnë zgjidhje.

Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, thotë për Radion Evropa e Lirë se presidentja është duke i shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për sqarim të aktgjykimit, “në mënyrë që të qartësohen pasojat juridike, në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga ajo”.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thonë se konsensusi është e vetmja rrugë për të tejkaluar bllokadën dhe për të konstituuar Kuvendin deri më 26 korrik.

Nëse kjo nuk ndodh, Kosova do të përballet me një situatë të panjohur deri më tash, thotë Naim Jakaj nga ky institut.

“Kosova do të hyjë në një situatë të re juridike dhe politike, që nuk e ka përjetuar më herët. Pasojat e saj do t’i ndiejmë në muajt e ardhshëm, në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik”, thotë Jakaj për Radion Evropa e Lirë.

A mund t’iu merret mandati deputetëve?

As Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka një përgjigje të qartë për zhvillimet që mund të pasojnë nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik.

Më 9 korrik, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve për këtë çështje, deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha shkurt: “E paparashikuar”.

Dy ditë më parë, ajo përmendi mundësinë që të gjithë deputetët e Kuvendit të humbin mandatin, nëse nuk e konstituojnë institucionin brenda afatit 30-ditor, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

“…janë 120 deputetë të legjislaturës së 9-të, që mund t’iu merret mandati, dhe të vazhdohet pastaj me deputetët që janë në listat e të gjitha partive politike”, tha Kusari-Lila.

Por, Mushkolaj shpjegon se mandatin e deputetëve të zgjedhur në mënyrë demokratike nuk mund ta marrë askush.

“Populli ua ka dhënë këtë mandat dhe populli ua merr mandatin. Vetëm nëse shkojmë në zgjedhje. Por, përsëri, duhet të konstituohet Kuvendi”, thotë profesoresha në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Jakaj, gjithashtu, nuk e sheh të mundshme heqjen e mandatit të deputetëve.

Ai thekson se Kushtetuta e Kosovës, në nenin 70, përcakton qartë arsyet për përfundimin ose pavlefshmërinë e mandatit të deputetit.

Ato përfshijnë: mosbetimin, dorëheqjen, emërimin në qeveri, përfundimin e mandatit të kuvendit, mungesën prej gjashtë muajsh në seanca, dënimin me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vite burgim, ose vdekjen e deputetit.

“Në asnjë nga pikat e aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese nuk i ka saktësuar pasojat kolektive apo individuale për deputetët, në rast të moskonstituimit brenda afatit prej 30 ditësh”, shton Jakaj.

Muhaxhiri: Nuk ka precedent për marrjen e mandateve

Edhe Artan Muhaxhiri, sociolog dhe njohës i politikës në Kosovë, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk parashikon marrjen e mandateve nga deputetët, në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit.

Për më tepër, thekson ai, në Kosovën e pasluftës nuk ka ndonjë precedent të ngjashëm.

Ai thotë se një hap i tillë do të kërkonte një vendim të ri të Gjykatës dhe ndryshime në mënyrën e zëvendësimit të deputetëve, por, prapëseprapë, nuk do të garantonte tejkalimin e bllokadës politike që po e pengon formimin e institucioneve.

“E para, ata deputetë që do të vinin, do të kishin më pak legjitimitet dhe pothuajse të gjithë do të ishin anonimë, pa përvojë politike. Vetë fakti që nuk janë zgjedhur, dëshmon se nuk kanë arritur sukses as në garën përbrenda partive të tyre”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se personat që do t’i zëvendësonin deputetët aktualë, do të vepronin nën udhëzimet e liderëve të partive të tyre, ndaj sjellja e tyre në procesin e konstituimit të Kuvendit do të ishte e njëjtë me atë të deputetëve aktualë.

“Do të ktheheshim në pikën ku jemi tash, por me një humbje të kohës dhe me një dëmtim të perspektivës së Kosovës dhe imazhit institucional në përgjithësi”, thekson Muhaxhiri.

Ku ka mbetur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës?

Deri më tani, deputetët kanë përfunduar vetëm dy pika të agjendës: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve.

Procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e nevojshme në disa runde votimi për t’u zgjedhur në këtë post.

Dy parti parlamentare, PDK-ja dhe AAK-ja, e shohin Haxhiun si figurë përçarëse dhe kërkojnë nga Lëvizja Vetëvendosje të propozojë një emër tjetër për kryeparlamentar.

LDK-ja thotë se nuk do të mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për këtë pozitë.

E, Vetëvendosje këmbëngul tani që votimi për Haxhiun të bëhet në mënyrë të fshehtë, duke premtuar se nëse ajo nuk i merr 61 vota, do të propozojë një kandidat tjetër.

Por, kjo formë votimi kundërshtohet nga partitë e tjera, duke e futur situatën në një rreth vicioz.

Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin për konstituimin e Kuvendit me afat 30 ditësh më 26 qershor, pas 37 tentativave të dështuara në këtë proces.

Megjithatë, ekspertët kushtetues dhe partitë politike e kanë kuptuar dhe interpretuar këtë vendim në mënyra të ndryshme.

Muhaxhiri thotë se për të tejkaluar bllokadën në Kuvend, është e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë.

Tronditet Forza Italia- A po hyn në politikë djali i Berlusconit? Pier Silvio lëshon sinjale të qarta… – Nga Alba Kepi

“Sot nuk kam ndërmend të hyj në politikë… por nuk përjashtoj asgjë për të ardhmen”, deklaroi pak orë më parë për mediat Pier Silvio Berlusconi.

Pas më shumë se dy vitesh heshtje politike pas vdekjes së Silvio Berlusconit, emri i familjes së njohur italiane rikthehet sërish në qendër të vëmendjes. Këtë herë, jo nga ekrani i televizionit, por nga zëri i Pier Silvio Berlusconit, djali i “Cavaliere”-s, i cili në një intervistë të fundit ka hapur derën – edhe pse vetëm pak – drejt një përfshirjeje të mundshme në politikën kombëtare.

Nga një skenë televizive, në një mesazh kombëtar. “Në të ardhmen, pse jo?” – kjo është fjalia që ka mjaftuar për të ndezur debate, analiza dhe lëvizje brenda Forza Italia, partisë që Silvio Berlusconi themeloi në vitin 1994 dhe që sot kërkon identitetin e saj pa liderin historik.

Pier Silvio flet si një menaxher modern, me gjuhë të qartë dhe vizion pragmatik: më pak taksa, paga më të larta, zhvillim, siguri. Janë këto fjalët kyce që ai përdori – jo në një fushatë elektorale, por në prezantimin e palinsesteve televizive e që kapërcyen kufijtë e ekranit.

Ai kërkoi rinovim të Forza Italia-s: “Duhet të hyjnë njerëz të rinj, ide të reja, duhet të punohet ndryshe”. Një mesazh i drejtpërdrejtë, që nuk kundërshton Antonio Tajanin, por i kërkon partisë të dalë nga hijet e nostalgjisë. Sepse trashëgimia e Berlusconit nuk mund të mbijetojë vetëm me emrin, por me guximin për t’u transformuar.

Për çështjen e shtetësisë për fëmijët që ndjekin shkollë në Itali (Ius Scholae), Pier Silvio mbajti një pozicion të moderuar: dakord në parim, por “nuk është përparësi”. Një qëndrim që kundërshton atë të Tajanit dhe që përforcon imazhin e tij si një lider i moderuar, që i kupton shqetësimet reale të shoqërisë italiane.

Reagimet nuk munguan. Tajani u shpreh “në sintoni të plotë”, ndërsa brenda partisë shumë zëra shohin Pier Silvion si një mundësi për të ringjallur Forza Italia-n, pa e shkatërruar atë. Madje edhe jashtë partisë, në kampin liberal apo tek Lëvizja 5 Yjet, pritet me interes çdo hap i tij i mëtejshëm.

Për momentin, nuk ka kandidaturë. Nuk ka një fushatë. Ka vetëm një mesazh që tingëllon si një paralajmërim: Berlusconi nuk është më, por Berlusconizmi nuk ka vdekur. Dhe ndoshta, në versionin Pier Silvio, po përgatitet për një formë të re – më teknike, më e moderuar, më e heshtur. Por jo më pak e rrezikshme për kundërshtarët./ Alba Kepi/

Prisni pak… Mbyllja e shqiptarëve në aeroportin e Beogradit? Ju e quani skandal?- Nga VUDI XHYMSHITI

Prisni pak…
.
Mbyllja e shqiptarëve në aeroportin e Beogradit?
Ju e quani skandal?
Hah!
.
Jo, o të dashur, o të verbër, o të përgjumur.
Skandali nuk është ajo që bën Serbia.
Skandali është ajo që bën Edi Rama.
Skandali është ajo që nuk bën ti, o shqiptar i lodhur, që ha bar dhe quan vetveten qytetar evropian.
.
Sepse Serbia nuk të gënjeu kurrë.
Ajo kurrë nuk premtoi paqe.
Ajo kurrë nuk tha se të donte gjallë.
Ajo gjithmonë e donte Kosovën… pa ty.
.
Kurse Edi Rama të tha se të donte.
Të përqafoi.
Të recitoi “vëllazëri” me vrerin e një tradhtari të hollë.
Dhe pastaj i puthi ballin Vuçiqit.
Atij.
Atij që përfaqëson një regjim që ende djeg kufoma shqiptare në kujtesën e vet.
.
Dhe ti hesht.
.
Dhe ti pranon.
.
Dhe ti e quan këtë “strategji”.
.
Po çfarë strategjie është kjo ku shqiptarët mbyllen si kafshë në aeroportin e Beogradit, ndërsa kryeministri yt ulet në tryezë me kasapët dhe buzëqesh me zellin e një shërbëtori të vogël?
Po çfarë shteti jemi kur shkelim mbi varret e masakrave për të ndërtuar korridore ekonomike me dorën që ende mban hanxharin?
.
Jo, vëlla.
Jo, motër.
Ky nuk është vizion.
Ky është poshtërim i paketuar si progres.
.
Edi Rama nuk është një kryeministër.
Ai është agjenti i fundit të ndjesës.
Sekretari i turpit tonë kombëtar.
Përfaqësuesi diplomatik i UJQËRVE.
Një llum i lyer me bojë floriri.
.
Dhe do vijë dita që ti, o popull, do kuptosh.
Kur të jesh sërish në radhë…
në ndonjë kufi tjetër…
me zyrtarë që të trajtojnë si leckë.
Sepse shefi yt i ka mësuar se kështu trajtohet shqiptari.
Si leckë.
Si njeri i vogël që harron.
Që pranon.
Që hesht.
Që përulet.
.
Edi Rama, ti nuk je më thjesht tradhtar.
Ti je kryepeshkopi i një kulti të sëmurë që i jep Serbisë lutje, bekime dhe tokë.
Mallkimi i Kosovës nuk ka më uniformë ushtarake.
Ka këmishë me jakë të gjatë, buzëqeshje hipokrite dhe një avion drejt Beogradit me një biletë turpi.
.
Zoti të dërgoftë në ferrin e historisë, aty ku ulen ata që shesin gjakun për fotografi.

Send this to a friend