VOAL

VOAL

Edi Rama, shqiptarët në RVM-së sipas ligjeve kushtetuese, nuk janë shtetformues(!) – Nga Skënder Karaçica

January 28, 2022
blank

Komentet

blank

Dr.Gjon Buçaj ka jetue me nder dhe ka shkue me respekt dhe i nderuem Nga Sergio Bitiçi

May 18, 2022

Gjon Buçaj (14 Shkurt 1934-14 Maj 2022)

Me të ndjerin Dr. Gjon Buçaj kam jo vetëm njoftsi prej vjetve 1950ta, po gjithëfarë lidhjesh shoqnore e familjare sa qē për 60 vjet kemi nda të mirat, dhimbjet, ideologjinë dhe atdhedashuninë, si në Kosovë, në Itali e në ShBA, ku u inkuadruem në VATËR, tanë jetën si antarë e bashkëpuntorë.

Unë isha nënkryetar në vjetin 1983, ndërsa ai u zgjodh e sherbeu si kryetar për dise mandate deri me 2017, që mbas kësaj date Vatra mori teposhtëzēn.

Gjoni ka qenë përkrahës e bashkëpuntor i organizatës tonë shumvjeçare Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, zadhansja e vetme kombëtare e viteve 70ta e 80ta, themelues Tahir Kerrnaja dhe drejtues vllaznit Bitici (Bytçi).

Miqësia jonê ka qenë përforcue nga vllau i tij i ri Gjin Leka , moshatar i imi shoq klase the i dhomës nê konviktin e Gjimnazit të Prishtinës.

Për fat të keq Gjini ishte shendetlig, shum i talentuem që shkruente poezi, nxanës i shkelqyeshëm dhe i dashtun nga gjithkush perreth. Ishim aq të afërt me Gjinin sa qē për halle ekonomike ndajshim nji palë libra të klasës.

Gjithashtu me 1959 sëbashku me Gjinin kemi shpërnda Lahutën e Malsis, dorë nëpër dorë, për të cilën gja shum njerëz jan persekutue, sepse si në Atdhe dhe në Kosovë, kryevepra kombëtare e Atë Gjergj Fishtës ishte e ndalueme rrebtësisht me ligj. Aktivitetet e sabotimet tona nuk dolën për fushë dhe ne nuk na kapi furra asnjherë, sepse nuk u spijunuem as nga kolegë as nga vendasit Kosovarë liridashës.

Po Gjoni, si shoq klase me Adem Demaçin në Gjimnazin e Prishtinës, u burgos menjiherë mbas arrestimit të Ademit për hetime në vjetin 1969. Ketë fshehtësi Gjini dhe unë e mbajtëm sekret derisa Gjoni u lirue mbas dy muejsh.

Para se të emigronte për Itali, nji mik i Gjonit ju lut që t’ja vizatonte shqiponjen, të cilën aktivistët me 28 Nandor ja vunë te vorri i heroit Fazli Graiçevci (1935-1964). Gjoni e vizatoi shqiponjen e Skenderbeut në flamur, siç dinte.

Mbas dy vjetësh Gjoni më thotë se takohet në Romë me dorzuesin e flamurit, të cilin e pyet nëse ju ka hy në punë flamuri i vizatuem në atë kohë. “Po”, thotë miku, por ne ja shtuem yllin që i mangonte.

Shpresoj se edhe këto fjalë i ka evidentue Gjoni në librin e tij, të posabotuem disa ditë para vdekjes para ikjes së tij nga kjo botë.

Gjin Leka Buçaj, kolegu im i afërt ka botue vjersha në Buletinin e Kishës Katolike Shqiptare me 1966. Gjini vdiq nga nji smundje e pa sherueshme, në Jacobi Hospital në Bronx, në Korrik 1966, nji muej mbasi mbërrijta vetë në New York. E vizitova disa herë në spital dhe fatkeqsisht ma së mbrami në Funeral.

Para disa vjetësh ja çova Gjonit kopjen e korrespondencës sonë dhe sa vjersha e fotografi të Gjinit të ndjerë.

Me ketë rast po e ndaj me publikun edhe ketë fotografi historike, dalë me Gjonin, me 1968, kur së bashku çuem kunorë lulesh te vorret e Fan Nolit e Konitzës, që e kam edhe në librin ATDHEU dhe Toka e Bekueme.

Foto që flet 1000 fjalë, ku Gjoni dhe unë ndodhemi, si të ri, mes personaliteteve të randësishme të shekullit Njizet të kombit. Prandaj Gjonit dhe mue na takoi nderi ti vejm lulet. Gjoni më pat ftue të shkojmë në Boston te VATRA për dy ditë, gja që më bani të ndihem i nderuem e krenar me qenë prezent në ketë moment kombëtar e historik.

Gjoni ka jetue me nder dhe ka shkue me respekt dhe i nderuem, tue lanë nji familje të mrekullueshme.

blank

Në kujtimet e nacionalisteve do ngelet si nji nacionalist e antikomunist i pa lekundshem dhe njeri jashtezakonisht fisnik ! Nga Hakik Mena

Para dy ditesh ndrroi jete nji prej nacionalisteve e antikomunisteve te hershem te diaspores,

ish kryetar i Bllokut Indipendent dhe ish kryetar i Vatres, Dr Gjon Buçaj.

Ngushllimet ma te ndjeme familjes; bashkeshortes e fmive, miqve, dashamirve dhe bashkeidealisteve te tij.

Dr Buçajn pata fatin ta njoh ketu ne diaspore qe ne vitet e para qe une pata ardh ne Amerike,

si fillim si nipi i mikut te tij ( Tahir Kolgjinit ) e ma vone na ra me bashkepunue kur ai vazhdonte te ishte kr i Bllokut dhe ne pozicionin e n/kr te Vatres dhe ma vone si kr. i Vatres.

Gjithmone do te ngelet ne kujtimet e nacionalisteve si nji njeri nacionalist e antikomunist i pa lekundshem dhe nji njeri jashtezakonisht fisnik.

I pa harruem qofte kujtimi i tij.

Shpirti i tij u prehte ne paqe !

blank

IKU DUKE SHKRUAR Nga Ruben Avxhiu

Me Dalip Grecën kam punuar së pari në redaksinë e gazetës “Republika”, në Tiranë, në vitet 1998-1999.
Me ftesë të botuesit të atëhershëm Ekrem Bardha, iu bashkuam gazetës “Illyria”, në New York, në korrikun e largët të vitit 1999.
Që të dy, për arsye të ndryshme, nuk menduam se po vendoseshim përgjithmonë në SHBA. Mirëpo, Shqipëria kishte kaluar vitet më të rënda të tranzicionit, gati luftë civile dhe shembje totale e shtetit në 1997, prag luftë civile pas vrasjes së Azem Hajdarit në 1998, potencial për konflikt të ri edhe në Shqipëri, nëse NATO nuk ndërhynte në Kosovë, në 1999.
Dy muaj pas mbërritjes në New York, morëm vendimin që të qendrojmë aty.
Kam jetuar me Dalipin në një apartament për gati një vit në periudhën 1999-2000, përpara se të na vinin familjet përkatëse. Në gazetën “Illyria”, kemi punuar me zyrat apo tavolinat ngjitur filimisht në Bronx e pastaj në Manhattan, me ndonjë shkëputje nga 1999 në 2009.
Edhe kur kaloi në gazetën “Dielli” kemi punuar bashkë sepse unë bëja faqosjen e “Diellit” që prej vitit 2004, me Anton Çefën dhe Agim Karagjozin.
Dalipi ishte shumë punëtor dhe i pasionuar për gazetat ku punonte. Ishte pjesë e suksesit te “Republika”, “Illyria”, dhe sidomos te “Dielli”, ku punoi deri sa doli në pension.
Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë në mërgim, solli familjen në SHBA dhe u dha një jetë të re. Për ta kjo humbje e parakohshme do të jetë veçanërisht e rëndë. Po ashtu do të jetë për miqtë e shumtë që bëri në atdhe dhe në komunitet.
Ndoshta do të shkruaj në të ardhmen më shumë për aventurën tonë amerikane, nëse do të jetë mundësia. Ikja e Dalipit është nga ato ngjarje që na kujtojnë se sa i paparashikueshëm është fati i njeriut. Me prindër jetëgjatë, kujdesin për shëndetin, me praninë e tij të përhershme me shkrime e komente, Dalipi dukej shumë më i ri sesa mosha që kishte dhe të bënte të besoje se do të kishte një jetë të gjatë si ajo e prindërve të tij.
Mirëpo, fundi vjen për këdo dhe shpesh jo atëhere kur e pret. Disa punë vijnë me më shumë stres se disa të tjera. Disa ngatyra njerëzore përfshihen më shumë emocionalisht se të tjerë e askush nuk e di se sa gjurmë lënë kthesat e jetës te secili prej nesh.
Nuk ka dyshim se Dalipi kishte ende shumë për të dhënë, si e dëshmon edhe frekuenca në rritje e shkrimeve të javëve të fundit. Në një farë mënyre, iku duke shkruar.
Tani do të pushojë i qetë.
blank

Gazetari Dalip Greca shuhet… Nga Visar Zhiti

I përkushtuari i medias shqip në New York, që erdhi nga qyteti i vogël i Lushnjës, ku dhe atje punonte në gazetë, që, kur iku, mori me vete urtësinë e vendlindjes, virtytin e miqësisë, “Shkëndijën” lushnjare, pêrvojën në “Fjalën e lirë” dhe “Republikën” e atdheut.
Duke mërguar në SHBA, përftoi në hapjen e metropolit botëror, si gazetar iu besua “Illyria” e më pas iu kthye “Diellit” në “Vatrën” e diasporës, punoi me zell, hulumtoi dhe arkivoi, u morr me dokumentin dhe librin, zgjeroi bashkëpunimin shqiptar nëpër Amerikë dhe Europë, ruajti Lushnjën brenda vetes, e shpalosi në gazetë, përvijoi nga tradita e themeltarëve klasikë, asaj koniciane e noliane e të Arshi Pipës dhe bashkëvuajtësve të Profesorit në burgun e atdheut dhe u bë dhe vetë traditë e re, modeste dhe e angazhuar…
Papritur u shua kur kishte ç’të jepte ende.
I shtrenjtë për familjen, lushnjar mes lushnjarëve, i paharruar mes miqve të shumtë dhe bashkëpunëtorëve, tashmë emër në kujtesën e gazetarisë shqiptare.
Visar Zhiti
blank

Nderimet e fundit dhe përcjellja për në banesën e fundit të personalitetit të shquar dhe emblemës të Vatrës Dr.Gjon Buçajt

LAJM MORTOR: U NDA NGA KJO JETË DR. GJON L. BUÇAJ

Me dhimbje të thellë lajmërojmë të afërmit, miqtë, dashamirët, dhe komunitetin shqiptar se më 14 maj 2022, në Inova Loudoun Hospital në Leesburg, Virginia, ndërroi jetë papritmas baba dhe gjyshi i ynë i dashtun,

GJON LEKË BUÇAJ

(1934-2022)

I lindun në Arst të Pukës me 14 shkurt 1934, ai i tha lamtumirë kesaj bote tue na lënë të përlotun, por krenarë që patëm nji babë të dashun, bujar, aktivist të çashtjeve kombtare, i cili na rriti dhe edukoi me ndjenja të nalta njerzëzore, ku mbolli dashunine për familje, për komb, dhe për besimin në Zot.

Familja pret vizita: Të ejten me 19 maj 2022 nga ora 14:00 -21:00 në Ballard-Durand Funeral & Cremation Services, 2 Maple Ave., White Plains, NY 10601

Sherbimet Mortore: Të premten me 20 maj 2022 nga ora 11:00-12:00 ne Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodres”, 361 W Hartsdale Ave, Hartsdale, NY 10530

Vorrimi bahet në:

Gate of Heaven Cemetery, 10 W Stevens Ave., Hawthorne, NY 10532

-Djemtë Eduard dhe Lekë; Vajzat Teuta dhe Nora; bashkeshortja Nikoleta; nipa, mbesa, dhe mbare farefisi Buçaj.

 

Nderimet e fundit dhe përcjellja për në banesën e fundit të personalitetit të shquar dhe emblemës të Vatrës Dr.Gjon Buçajt

 

VISITATION

Thursday, May 19, 2022
2:00 PM to 9:00 PM
Ballard-Durand Funeral & Cremation Services
2 Maple Ave.
White Plains, NY 10601

FUNERAL SERVICE

Friday, May 20, 2022
11:00 AM to 12:00 PM
Our Lady of Shkodra – Albanian RC Church
361 W Hartsdale Ave
Hartsdale, NY 10530

blank

Ndahet nga jeta Dalip Greca, ish kryeredaktori i Diellit – “Vatra” mesazh ngushëllimi

Ndahet nga jeta një nga personalitetet më të njohura shqiptare në Amerikë. Drejtuesi i gazetës shqiptare në SHBA “Dielli” dhe pjesë e pandarë e Federatës Vatra Dalip Greca u nda nga jeta në moshën 72-vjeçare duke lënë pas dhimbje për familjen e tij, dy vajzat, djalin dhe gjithë miqtë.

Federata Vatra ka shprehur me një mesazh ngushëllimet për humbjen e një prej ikonave të saj dhe gjithë komunitetit shqiptar në Amerikë.

SHUHET DALIP GRECA, IKONA E DIELLIT, VATRËS E MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI

E nderuar familja Greca
I shtrenjtë dhe i paharruar miku ynë i përjetësisë Dalip
Sot për familjen Greca, Vatrën, Vatranët, Shqiptaro-Amerikanët është një ditë zie dhe trishtimi.
Sot, më datë 16 Maj 2022, në orën 4.23 PM në Neë York, zemra e mikut tonë të çmuar Dalip Greca ndaloi përgjithmonë.
Ikja e befasishme na ka shkatërruar të gjithëve në shpirt. Ky largim i shpejtë dhe i padrejtë na ka vrarë fort e mërzitur pafundësisht.
Një largim fizik që lë pas shumë trishtim, keqardhje e dhimbje të thellë te familja, miqtë e bashkëpunëtorët.
Ne do ta kujtojmë e respektojmë përjetë kontributin tënd të shquar, dedikimin dhe përkushtimin në punët që bëje, korrektësinë e detyrave, besnikërinë e premtimeve e miqësive, përkushtimin e devotshmërinë ndaj komunitetit, miqve, medias dhe kombit shqiptar.
Ikja e Dalip Grecës largon brenda nesh një copë të rëndësishme jete të kthyer në përkujtim të përjetshëm.
Sot, të gjithë kemi humbur shumë. Miqtë një mik special, shok, vatran, patriot, familjar e veprimtar të pa zëvendësueshëm në kauzat ku Dalip Greca bëhej pjesë. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve, të Shqiptaro-Amerikanëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të ndjera, më të sinqerta e më të dhimbshme familjes Greca për humbjen e pakthyeshme të mikut tonë Dalip.
Lutjet dhe përshpirtjet tona si vatranë e komunitet janë më të afërta e më të ndjera se kurrë pranë familjes Greca, familjarëve e miqve në këto momente trishtimi, lamtumire, humbje e zie.
Mirënjohje për jetë të jetëve o Dalip Greca për gjithçka që po na lë pas ikjes sate në përjetësi.
Pushofsh në paqen e amshuar, në mbretërinë e qiellit miku ynë i paharruar.
I pikëlluar thellë
Pranë familjes e miqve, me nderime të veçanta
Kryetari i VATRËS
Elmi BERISHA
Shënim: Në gazetën Dielli, në vazhdim do të jepen detaje rreth organizimit të ceremonisë së lamtumirës dhe nderimeve.

Kush ishte Dalip Greca

Dalip Rexhep Greca u lind në Lushnje me 10 tetor 1950. Mësimet bazë i bëri në vendlindje, ndërsa shkollën e Mesme e përfundoi Qershor 1969 në Gjimnazin” Abas Shehu” Tepelenë.
Studioi për Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër 1969-1971, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. 1971-1974 kreu shërbimin ushtarak të detyruar në Marinë.

Në vitin e fundit të shërbimit nisi me korrespondencë studimet në Universitetin e Tiranës për Letërsi, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të mira në maj 1976. Punoi në arsim deri në vitin gusht 1983, kohë kur filloi punën se redaktor për Kulturën dhe Sportin në Gazetën lokale “Shkëndija” të Komitetit të Partisë së Punës. E humbi këtë vend pune për shkak të përkrahjes së proceseve demokratike në dhjetor 1990.

Mbeti dy muaj pa punë derisa opozita i ofroi detyrën e sekretarit të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të rrethit të Lushnjës. E dorëzoi detyrën për shkak të vendosjes së kandidaturës për kandidat për deputet në krah të opozitës në vendlindjen e tij në zgjedhjet e para Pluraliste të 31 Marsit 1991.Ai kandidoi për opozitën edhe në vitet 1992, 1996, 1997.

Në Prill 1992 u emërua Inspektor i Letërsisë në Drejtorinë Arsimore të Rrethit Lushnje, ndërkohë që drejtonte dhe botonte gazetën lokale të përjavshme “Ora e Fjalës”, gazetë që lindi gjatë Lëvizjes Demokratike (Shtator 1991) dhe vijoi ta drejtojë deri në Gusht 1996, kohë kur u emërua Kryeredaktor i gazetës së përditshme “Republika”.

Më 20 korrik 1999 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe filloi detyrën e redaktorit-përgjegjës për seksionin shqip të gazetës shqiptaro-Amerikane ILLYRIA, paralelisht nisi dhe përfundoi studimet 2-vjeçare në Institut Tecnnology of Business në New York. Për 10 vite ai ishte një ndër gazetarët që hulumtoi, intervistoi personalitete dhe njerëz të thjeshtë të komunitetit dhe fitoi respektin e shqiptarëve të Amerikës. Ai arriti të intervistojë shumë nga figurat e diasporës nacionaliste, të cilët e patën lënë Shqipërinë në fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Në gusht të vitit 2009, Dalip Greca filloi drejtimin e Gazetës Dielli, e cila nuk botohej prej më shumë se 2 vite e gjysmë.  Dielli për 12 vite që e drejtoi deri sa doli në pension më 2021  botohet në print çdo muaj përveçse edhe online, madje nuk u ndal publikimi as në kohën e Pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Gazetari Dalip Greca prej 2 dekadash ka dhënë kontribut edhe në median televizive. Ai ishte gazetar i jashtëm për Televizionin Kultura Shqiptare në New York (Albanian Culture TV), ndërkohë që vazhdoi të bashkëpunonte me median në Tiranë dhe Prishtinë. Greca ishte një ndër kontributorët e spikatur në ruajtjen e traditave dhe kulturës shqiptare në SHBA; pjesë e pandarë e Federatës Panshqiptare të Amerikës, anëtar i kryesisë dhe Këshillit të Vatrës i përfshirë në shumë projekte të organizuara nga Vatra, si përvjetorët e Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit Kombëtar, 100-Vjetorit të Vatrës, 110-Vjetorit të Gazetës DIELLI, Vitit të FAIK KONICËS, Simpoziumit për Arshi Pipën, Mit’hat Frashërin, Revoltën e Spaçit dhe tash pjesë e projektit-Historia e Vatrës sipas arkivave…

blank

FUNDJAVA ME DIAKONIN E PARË SHQIPTAR NË ILLINOIS… – Nga Eda Zhiti –

 

Ne ishim të ftuar në “Holy Name Cathedral”, Arqipeshkvia e Çikagos, në shugurimin diakonal që celebroi Kardinali Blase Joseph Cupich,
mes të cilëve ishte dhe miku ynë, Lekë Brisku, diakoni i parë shqiptar në shtetin Illinois…

E madhe dhe e bukur, një ceremoni mahnitëse, fjala e shenjtë, organoja, kori, betimi, kurorëzimi i studimeve disavjeçare dhe nisja e një misioni të ri, aty familjarët e diakonëve të rinj, ku shkëlqenin bashkëshortja e Lekës, Blandina dhe Dom Simon Filipaj, të cilët sipas rutualit në altar i hedhin mbi supe Lekës dalmatikun, petkun e bardhë…

Dhe të nesërmen në kishën Saint Isaac Jogues Niles në Meshën e Falenderimit diakoni Lekë Brisku bëri homelinë e parë dhe emocionoi gjithë të pranishmit që mbushnin kishën.

Pas meshës u shkua në mjediset festive.

Drekën e nderoi ipeshkvi-ndihmës i Arqipeshkvisë së Çikagos, Shkëlqesia e Tij, Mark Andrew Bartosic.

Vallet dhe këngët shqip ushtuan gjithandej në fundjavë, teksa prania ëngjëllore e fëmijëve e bëri edhe më të bukur…

blank blank blank blank blank
blank
blank

Nju Jork: Përurohet rruga “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”

VOA/Burim Goxhuli

Me vendim të Bashkisë së Nju Jorkut, një rruge në lagjen Bronks iu shtua edhe emri i heroit kombëtar “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Ceremonia e emërtimit u zhvillua dje, ku morën pjesë një numër i madh shqiptaro-amerikanësh, si dhe ligjvënës e zyrtarë të Nju Jorkut. Në një kronikë të zgjeruar, kolegu Burim Goxhuli sjell atmosferën gjatë këtij tubimi.

Një rrugë në lagjen Bronx të Nju Jorkut, tani e tutje do ta mbajë edhe emrin e heroit kombëtar shqiptar “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.

Ceremonia e zbulimit të pllakës me emrin e figurës së njohur shqiptare mblodhi një numër të madh pjesëtarësh të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët festuan me këngë e valle në ditën që e cilësuan si historike.

“Është kënaqësi për ne shqiptarët, në përgjithësi kudo që janë, por sidomos ne që jemi në Amerikë. E ndjejmë më shumë faktin e të qenit shqiptar. Mburremi me atë. Gjergj Kastrioti është heroi ynë kombëtar. Unë me amerikanë dhe jo-amerikanë, flas rreth asaj se kush ishte Gjergj Kastrioti. Është krenari kur e dëgjojnë historinë”, thotë shqiptaro-amerikani Spartak Zeraj.

“Na heq pak mallin. Tani ne mund të vijmë në këtë rrugë edhe më shpesh, duke qenë se ka emrin e heroit tonë që na përfaqëson Shqipërinë. Emri i tij, historia e tij, ka bërë shumë për vendin tonë. Kjo është shumë për ne shqiptarët”, thotë shqiptaro-amerikania Xhensila Keqi.

“Është shumë e rëndësishme sepse më në fund po njihen rrënjët e shqiptarëve në lagjen e Bronksit. Duke jetuar në Bronks, më duket sikur jam në Shqipëri për shkak të numrit të madh të shqiptarëve këtu”, thotë shqiptaro-amerikani Anton Lulaj.

Festimet në Bronks, në një pjesë të qytetit, që tashmë njihet edhe si “Shqipëria e Vogël”, zgjuan edhe interesimin e amerikanëve.

“Nju Jorku është një miniaturë e gjithë botës. Në veçanti Bronksi ka shumë shqiptarë. Mendoj se është e vlefshme të festojmë për diversitetin e bukur të qytetit të Nju Jorkut”, thotë për Zërin e Amerikës Chester Eng.

Emërtimi i ri në kryqëzimin e rrugëve “Crescent Avenue” dhe “Adams Place” u miruatua në fillim të vitit nga bashkia e Nju Jorkut, pas kërkesës së ish-anëtarit të këshillit bashkiak të qyteti dhe aktivistit shqiptaro-amerikan, Mark Gjonaj.

Ai thotë për Zërin e Amerikës se rruga “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” është rezultat i një pune shumë-vjeçare që duhet të vazhdojë.

“Ku ka ditë më të bukur se sot në Nju Jorkun kuq e zi, duke festuar për heroin më të madh kombëtar që kemi, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Është një ditë e mrekullueshme që ky komunitet e ka merituar. Ky komunitet me veprat, punët dhe suksesin ka arritur që sot ta gëzojë këtë ditë së bashku. Prej një gjenerate në gjeneratën tjetër, e dhashtë Zoti edhe në gjeneratat e ardhme. Ne nuk guxojmë ta harrojmë traditën tonë, kulturën, historinë dhe gjuhën”, thotë për Zërin e Amerikës, ish anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams tha se komuniteti shqiptaro-amerikan përfaqëson pjesën më të mirë të qytetit të Nju Jorkut. Ai falenderoi këtë komunitet për angazhimin e tij drejt një shoqërie më të sigurt.

“Kur flas për njujorkezët e mirë, flas për shqiptarët sepse ju jeni përfaqësues të njurorkezëve të mirë. Jeni shumë punëtorë dhe të përkushtuar. Besoni në sigurinë publike dhe cilësinë e jetës që e meritojmë në qytet. //Nuk ju shoh si pjesë të një zone zgjedhore, ju shoh si vëllezër dhe motra. Prandaj, meqenëse unë jam kryebashkiaku, mund të themi se e kemi kryebashkiakun e parë shqiptar”, tha zoti Adams.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe udhëheqësi i shumicës në Senatin amerikan Chuck Schumer.

“Ju dua shumë. E dua këtë komunitet, sepse jeni pjesa më e mirë e Amerikës. Shumë njerëz erdhën këtu në vitet 50, 60 dhe 70. Gjithçka që keni dashur është të punoni shumë, që të siguroni jetë të mirë për veten dhe jetë edhe më të mirë për fëmijët tuaj. Dhe ia keni arritur”, tha zoti Schumer, ndërsa u zotua se do të vazhdojë angazhimin e tij në Uashington për çështjen shqiptare.

Premtim të njëjtë dha edhe ligjvënësi Richie Torres. Në fjalimin e tij, ai foli për rëndësinë e figurës së Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, duke e krahasuar atë me ditët e sotshme.

“Shumë para rezistencës ukrainase kundër Rusisë, ishte rezistenca shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Prandaj jam shumë krenar që u bashkohem që të festojmë për historinë dhe u them se do të vazhdoj të angazhohem për komunitetit shqiptar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara”, tha gjatë fjalimit të tij ligjvënësi Richie Torres, bashkëkryetar i grupit të ligjvënësve në Kongresin amerikan për çështjet shqiptare.

Të pranishmit shijuan një program të pasur kulturor, pjesë e të cilit ishte edhe grupi folklorik “Shqiponjat” i themeluar nga komuniteti Arbëbresh në Itali në vitin 1994.

“Sot jemi vërtetë shumë të lumtur sepse mund të vallëzojmë dhe këndojmë bashkë me vëllezërit dhe motrat shqiptarë që jetojnë këtu në Amerikë. Ne jemi një grup folklorik, emri ynë është Shqiponjat. E kemi mbajtur gjuhën, traditën dhe kjo është veshja tradicionale”, tha Mariateresa Konte.

Pjesë e programit ishte edhe një panair i bizneseve shqiptaro-amerikane.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është rruga e tretë në lagjen Bronks që nderon figurat e njohura shqiptare, pas asaj Nënë Tereza dhe Fan Noli.

blank

Thirrje Vatranëve: Të Bashkohemi në nji Kuvend…* Nga Mithat Gashi

*Këtë analizë rreth situatës në Vatër të publikuar më 7 janar 2020, Voal.ch e riboton sepse e ruan aktualitetin.

Vatra po tejkalon nji gjendje krize. Në gjuhen shqipe kemi nji shprehje, “Çdo e keqe e bjen edhe nji të mirë,”dhe lshpresojmë që kjo e keqe do të na bjere nji të mirë. Fjala kineze për krizë na jep nji përshkrim shprese. Për të shkrue fjalën “KRIZË”, kinezët përdorin karakteret e fjalëve “RREZIK” dhe “MUNDËSI”, dhe në këtë kontekst, po parafrazojmë nji thanje t’presidentin amerikan John F. Kennedy: Në nji krizë, jemi të vetëdijshem për rrezikun, por duhet t’pranojmë mundësinë.

 

Kriza dhe Mundesitë për Mirëvajtjen e Vatrës

 

Gjate 100-e-sa-vjetëve, Vatra ka tejkalue kriza të ndryshme, por antarët e saj, me mundime dhe sakrifica, kanë gjetë mundësitë për vazhdimësine e kësaj organizate. Gjendja e krijueme asht kjo: Kemi dy rryma të cilat kanë thirrë që të bahen dy kuvende të Vatrës, nji me 19 janar 2020 në Michigan, dhe nji me 25 prill 2020 në New York. Sejcila palë paraqet arsyet e veta. Në nji krah janë vatranët që krijuen Komisionin 5 Tetor 2019 dhe në krahun tjetër janë vatranët që mbështesin Kryesinë, së cilës i kaloi mandati në qershor të 2019-tës. Ata që mbeshtesin Kryesin dhe Kuvendin e 19 janarit thonë që Komisioni asht i paligjshëm.

 

Çfarë i shtyu vatranët për të krijue Komisionin 5 Tetor 2020?

 

Janë shum faktorë që ndikuen në krijimin e Komisionit Vatra. Po përmendim vetëm disa:

1. Vendimet e Kryesisë pa konsultë dhe aprovim nga Këshilli Drejtues: Si u morën vendimet e Kryesisë gjatë këtyne dy vjetëve të fundit? Këshilli Drejtues asht organi vendim-marrës ma i naltë mbas Kuvendit. Këshilli Drejtues gjatë dy vjetëve e gjysë asht mbledhë vetëm dy herë. Kanunorja e Vatrës kërkon që Keshilli të mblidhet gjashtë herë në vit dhe amandamentet e kanë katër herë në vit.

2. Vatra duhej të kishte Kuvend Pune në vitin 2018. Kuvendi i punës do të kishte delegatët të cilët do të propozonin dhe do t’merrnin vendime për planet njivjeçare të Vatrës. Kryesia do të vepronte simbas planeve dhe udhezimeve të Kuvendit. Pse nuk u thirr Kuvendi i Punës? Kryesia vendosi të punoje në krye të vet, pa u konsultue, dhe pa marrë aprovimin e antarëve të saj.

3. Pse nuk u thirr Kuvendi zgjedhor në 2019? Tue mos thirrë Kuvendin në 2019, Kryesia lejoi skadimin e mandatit të saj, dhe ndikoi që vatranët të krijojne Komisionin 5 Tetor 2019.

4. Kryesia nuk i denoi shkeljet e Kuvendit të 2017. Në atë Kuvend, kredencialet e delegatëve nuk u verifikuen me korrektësi. Disa kryetarë degësh i ngritën antarësitë e degëve të tyne në minutën e fundit për të shtue numrin e delegatëve. Ende sot nuk dihen të gjith emnat e 73 delegatëve që morën pjesë në ktë Kuvend. Ma vonë u muer vesh që kishte delegatë të cilët ishin antarësue në Vater para nji viti, dhe kishte delegatë që kishin emigrue ne SHBA para 8 muejsh. Simbas Kanunorës, delegati duhet të jetë të paktën dy vjet antar i Vatrës.

Për hirë të harmonizimit dhe të mirëvajtjes së Vatrës, Kryesia e kishte obligim që t’distancohej nga këto shkelje.

5. Kryesia dhe Keshilli Drejtues nuk u aprovuen nga Kuvendi.

Pikat 1, 2, dhe 3 janë të mjaftueshme për ta ba Komisionin 5 Tetor 2019 të ligjshëm. Antarët e Vatrës kanë të drejtë me u aktivizue kur diçka asht e padrejtë. Tue u bazue ne konceptin e të drejtave naturale, njerëzit nuk kanë qendrue duerkryq. Jane aktivizue. Po t’i hedhim nji sy Deklaratës së Pavarësisë së Amerikes, do të shohim që Thomas Jefferson, përpiluesi e kësaj deklarate, i influencuem kryesisht nga filozofi anglez, John Locke, një pjesen e të drejtave natyrore të njerëzve dhe marrëdhëniet me qeverinë, thekson që asht detyre e njerezve që ta ndryshojë ose shfuqizojë nji qeveri, dhe të krijojë një qeveri të re, kur ajo nuk i mbron të drejtat e popullit qe ka premtue me qeverisë. Mandej, neni 18 i Kanunores ban fjale per thirrjen e mbledhjes se Komisionit (Keshillit Drejtues) dhe Amendment 11-e ban fjale per zavendsimin e kryetarit. Autorët e Kanunores i kanë pasë parasyshë këto parime kur e kanë hartue nenin 18 të saj, që ban fjale per të drejtën e katër antarëve me kërkue thirrjen për nji mbledhje ekstraordinare.

 

Ç’ndodhi mbas krijimit të Komisionit Vatra?

Antarët e Komisionit Vatra me daten 6 tetor 2019 i drejtuen nji letër Kryesisë dhe i kërkuen takim. Teksti i letrës ishte: “Me date 5 tetor 2019 në Bronx, New York City, një grup vatranësh nga Këshilli Drejtues i VATRES, nga Keshilli i të urteve dhe kryetare degësh të VATRES u mblodh dhe krijuan një Komision që kërkon takimin me Kryesinë e Vatrës me datë 20 tetor në ora 11:00 AM në selinë e Vatrës. Ju lutemi konfirmoni takimin me 14 Tetor 2019.” Kreysia nuk pranoi takim. Komisioni deklaroi daten e Kuvendit me 25 prill 2020 në New York, dhe që antarët e ketij Komisioni do të merren me pregatitjen e Kuvendit.

 

Vendimi i Kryesisë me 11 dhjetor 2019 mbolli faren e ndamjes së Vatrës

 

Pak kohë mbasi Komisioni caktoi daten qe Kuvendi do te mbahet me 25 prill 2020, me 11 dhjetor 2019, Kryesia deklaroi që do të bahet Kuvendi me 19 janar 2020 në Michigan. Pra Kryesia: 1) Nuk organizoi Kuvend Pune ne 2018; 2) nuk mblodhi Keshillin Drejtues dy here ne vit; 3) Nuk bani Kuven ne 2019; 4) Nuk pranoi te ulet dhe të bisedojë me Komisionin qe vatranët krijuen me 5 tetor, dhe 5) Caktoi nji datë tjetër për Kuvend. Vendimi ne piken 5 asht praktikisht akt drejt krijimit të dy Vatrave, tue zyrtaruzue keshtu perçamjen e fillueme qyshë në kuvendin e 2017ës.

Antaret e Komisionit Vatra jane: Sergio Bitici, Ahmet Giaffo, Ahmet Hoti, Dr. Nexhat Kalici, Kris Kirka, Dr. Elton Mara, dhe Armin Zotaj. Antarët e Kryesise jane: Zef Balaj, Sokol Bejleri, Tom Beno, Marjana Bulku, Marjan Cubi, Besim Malota, Dritan Mishto, Agim Rexhaj, Adiratik Spahiu, Nazo Velu, dhe Dr. Skender Murtenzani (i cili deklaroi me ane t’nji e maile që ka dhanë doreheqje nga Kryesia, dhe propozoi nji date tjetër për Kuvend).

 

Shmang’ja e Rrezikut dhe Mundesitë për Bashkim në nji Kuvend

 

Për t’organizue nji Kuvend të nji organizate që ka disa degë, si asht Vatra, duhet kohë. Kryesia ka deklarue Kuvendin e saj me 19 janar në Michigan, pra mendon që do të organizoje nji Kuvend mbrenda nji mueji. Nëse asht e vërtetë që mund te bahet organizimi mbrenda nji mueji, at’herë pse Kryesia nuk e organizoi Kuvendin e Punës në vitin 2018? Pse nuk e organizoi Kuvendin zgjedhor në pranver apo verë të vitit 2019?

Mundesitë për t’u bashkue nën nji Kuvend me datën 25 prill 2020 janë të mundëshme. Antarët e Komisionit që përbahen prej shtatë vetëve e kane lanë nji derë hapun në mbledhjen që kanë ba me 21 dhjetor 2019 në Newburgh, që këtij Komisioni t’i shtohen edhe 2-3 vetë të tjerë dhe të bashkpunojnë për t’organizue Kuvendin me 25 prill 2020, apo po të bien dakord të caktojnë nji datë tjetër.

Po të jetë qellimi që të bahet nji Kuvend i rregullt, ç’të keqe ka që Kuvendi të organizohet nga Komisioni? Ç’të keqe ka që këtij Komisioni t’i bashkohen edhe 2-3 vetë të tjerë dhe te punojnë se bashku mbrenda harmonisë kombëtare për te vû Vatrën në hullinë që meriton?

Për t’ju shmangë rrezikut të ndjamjes në fraksione sot apo n’të ardhmen, Vatrës i duhen antarë të drejtë, punëtorë, dhe drejtues degësh të devotshëm. Vatrës nuk i duhen kryetare degësh të papërgjegjëshem, të cilët nuk janë në gjendje të dërgojnë listat dhe regjistrimet e degëve me rregull. Nuk i duhen kryetar degësh që manipulojnë, dhe publikisht genjejnë duke deklarue se filani ka qenë antarë i degës time për 5-6 vjet, ku dihej qe ajo degë nuk i kishte gjashte vjet që ishte formue. Vatrës nuk i duhen drejtues degësh që nuk aplikojnë kanoren në zgjedhjen e delegateve në Kuvend. Vatres nuk ibduhen drejtues qe ç’fuqizojne amandamentet qe vatranet kane aprovue gjate nji shekulli. Vatres nuk i duhen kryetarë që kërkojne me ba ura nderlidhese me agresoret fqinjë, kur urave u mungojne kambët. Kur Greqia t’u jape të njajtat te drejta shqiptareve ne Greki që kanë grekofonet ne Shqipni, atehere kemi vû bazat për ura.

Vatrës i duhen njerëz te ndershëm dhe punëtorë. Vatres i duhen drejtues vizionarë. I duhen njerëz që janë të përkushtuem për të mirën e Komunitetit dhe të Kombit. Njerëz të tillë do t’a fusin Vatrë në hullinë e historisë së saj.

Mithat Gashi asht antare i Vatres qe në vitin 1990. Ka mbarue studimet pas-universitare në Columbia University School of International Affairs dhe doktoraturën në Fordham University.

 

*Këtë analizë rreth situatës në Vatër të publikuar më 7 janar 2020, Voal.ch e riboton sepse e ruan aktualitetin.

blank

Tribut për Dr. Gjon Buçaj

Mbas nje jete te plote dhe shume dimensionale u nda nga ne dhe shkoi në amshim Dr. Gjon Buçaj, intelektual, patriot dhe udheheqes i komunitetit, ish- Kryetar i Federates Vatra.
U njoha me Gjonin 10 vite me pare, ne vigjilje te jubileut te shekullit te pare te Vatres,
te cilen Gjoni e drejtoi me dinjitet per me shume se nje dekade,
në vijim te punes së Arshi Pipes dhe Agim Karagjozit, mbi shinat themeltare te Nolit dhe te Konices.
Gjoni shkoi në amshim i rrethuar nga trashegimtare, nipa, mbesa, miq dhe shoke te pafund,
por ne distance nga Vatra e tij,
e cila perkohesisht dhe per fat jo te mire po kalon turbulenca parimore,
e dale nga binaret e ligjshmerise dhe konservatorizmit ku e la Dr. Gjoni.
Dr. Gjon Buçaj mbylli syte por la vizionin, Dr. Gjonit ju shua jeta por jo krenaria,
trupi i tij mbeti në te shkuaren dhe te tashmen,
por shpirti i tij i takon se ardhmes, vegim drite dhe shprese per Vatren dhe komunitetin shqiptar.
Shpirti i Gjonit pushofte në lumnine e Parrizit! Amen!
blank

Dega Vatra Manhattan Branch: Vatra është rrëmbyer nga një palë keqdashëse që do të mbretërojë pa të drejtë

Dega Vatra Manhattan Branch ka bërë një reagim në rrjetin social rreth një kërkese të përsëritur nga një grup Vatranësh mbetur pa përgjigje për verifikim të votës. Voal.ch po e sjell si më poshtë:

 

“Për Gazetën Dielli.

Shumë gjëra në Vatër si kërkesa, verifikime votash anashkalohen qëllimisht.

Nga një burim i sigurt mësohet se sekretarja e Vatrës ka bërë të ditur në mbledhje kryesie se asnjëherë nuk nuk do t’i përgjigjet kërkesave për verifikime të kuvendit të kaluar.

Ne anëtarët e degës së Vatrës besojmë tek vota dhe përveç pjesmarrjes tonë çdo dyshim që kemi duhet të kërkojmë verifikim me ZERO toleranc ndaj manipulimit të VOTËS.

Zonja Sekretare e Vatrës Nazo Veliu,

kur e keni vendosur të thërrisni në VATËR vatranët për të verifikuar VIDEON e kuvendit dhe të kryeni funksionin e sekretares së përgjithshme që ju është dhënë?

Ju kemi dërguar 10 letra me përmbajtje: verifikim i mandatit 4 vjeçar të kryetarit të Vatrës.

Deri më sot nga ana juaj zyrtarisht asnjë përgjigje vetëm shmangie.

Është e qartë se Vatra është rrëmbyer nga një palë keqdashëse që do të mbretërojë pa të drejtë.

Zonja sekretare transparenca është virtyti i së mirës!

 

Dega Vatra Manhattan Branch kërkon transparence

 

 

 

blank

FOTOT+VIDEO- Veliaj pritet me protestë në SHBA: Emri i Ardit Gjoklajt e ndjek pas

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk e ka gjetur as në Nju Jork, lumturinë që shfaqi me foto buzëqeshura nga takimet me zyrtarët e lartë të atjeshëm para një jave.

Plagët që ka hapur në vendin e tij, si në rastin e adoleshentit Ardit Gjoklajt, e kanë përndjekur edhe në “Nju Jorkun, qytetin ku kam jetuar dhe e dua fort dhe është shtëpia e shumë shqiptarëve të suksesshëm”, të cilin e vizitoi një javë më parë.

Deputeti Belind Këlliçi ka publikuar pamje dhe foto se si qe në të vërtetë takimi i Veliajt me shqiptarët e Nju Jorkut.

“Kjo është pritja që i rezervuan në New York, ndotësit të Tiranës, Erion Veliaj! – shkroi Këlliçi. “Ti mund të shfaqesh me shumë fytyra, po kudo qofsh, emri i të vrarit Ardit Gjoklaj do të të ndjekë nga pas. Liria jote është padrejtësi për Arditin. Duhet të ishe prapa hekurave, jo në New York!” nënvizoi ai.

blank

blank


Send this to a friend