VOAL

Please Wait ...
0%

E vetmja e mbetur gjallë e familjes Popa: Nuk u dashurova kurrë, pse s’u lidha me një italian

By | September 14, 2017

Komentet

Dokument – Dekreti i vdekjes: “Varje për dy, pushkatim për tre të tjerët”, zbardhet dekreti i ekzekutimit të 5 inxhinierëve në Maliq

Ish-drejtori i arkivës në Ministrinë e Brendshme dhe historiani Kastriot Dervishi ka publikuar dokumentin e dhënies së dekretit për ekzekutimin e disa inxhinierëve në Maliq 71 vite më parë.

Në dekret shkruhet se Kuvendi Popullor refuzoi kërkesën për falje të jetës nga të dënuarit dhe dha urdhrin për ekzekutim me varje për dy inxhinierë dhe me pushkatim të tre të tjerëve.

Postimi i plotë:

1946/Dekreti i vdekjes për grupin e parë të inxhinierëve të Maliqit

Sot, 71 vjet nga ekzekutimi i inxhinierëve

Në mbledhjen nr.59, datë 19.11.1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi refuzimin e kërkesave për faljen e jetës së bërë nga të dënuarit e procesit të parë të “Maliqit” dhe familjarët e tyre, duke urdhëruar ekzekutimin me varje në litar të Abdyl Sharrës, Kujtim Beqiri dhe me pushkatim të Vasil Manos, Zorika Manos dhe Eugenio Scaturos.

Këneta e Maliqit nisi të thahej më 5 maj 1946. Punimet e saj duhej të mbaronin më 28 nëntor 1946, kurse në fakt, në fazën kryesore mbaruan në vitin 1951. Drejtues të punimeve ishin Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri. Proceset ndaj teknikëve për gjoja “sabotime” ishin kombinacione dhe legjendime të përpiluara nga teknikët jugosllavë të Maliqit dhe regjimi komunist për të përligjur largimin e misionit amerikan në Tiranë. Dosjet hetimore-gjyqësore të këtyre proceseve janë tërësisht të manipuluara nga regjimi sepse janë marrë dhe zhvilluar në kushtet më të rënda të torturës psikike dhe fizike. Procesi i parë i Maliqit dhe proceset e tjera vijuese, synonin të implikonin qeverinë amerikane dhe diplomatin e saj Fultz. Sipas informacioneve të siguruara, Fultzi, vetëm nga zhvillimi i gjyqit e kuptoi kush i kishte drejtuar punimet në Maliq.

Nga maji 1945 e deri nëntor 1946, ngjarjet janë zhvilluar kështu:

-8 maj 1945 misioni diplomatik amerikan mbërrin në Tiranë

-10 nëntor 1945 qeveria amerikane njohu qeverinë komuniste me kusht deri në plotësimin e kushteve, e deri në këtë kohë nuk do kishte nivel të lartë diplomatik. Dy ditë më vonë, Hoxha deklaroi se ishin djegur arkivat e nuk i njihte traktatet me SHBA-në (si injorant i politikës nuk e dinte që traktatet hartohen në disa ekzemplarë)

-13 gusht 1946, Enver Hoxha i deklaroi shefit të misionit diplomatik amerikan se qeveria e tij do njohë disa traktate me karakter dypalësh, vetëm pas njohjes së Shqipërisë nga SHBA.

-20 shtator 1946, sekretari i shtetit, udhëzoi mosnjohjen e qeverisë komuniste të Hoxhës.

-28 shtator 1946 nisin arrestimet në Maliq.

-8 deri më 18 nëntor 1946 zhvillohet procesi i parë kundër “sabotatorëve”.

-15 nëntor 1946 misioni amerikan largohet nga Shqipëria

-19 nëntor 1946 ekzekutimi në Maliq i grupit të parë.

20 vjetori i Pavarësisë: “Shqipëria ka bërë përparime të jashtëzakonshme nën udhëheqjen e mbretit Zog.” – Le Figaro (1932)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Nëntor 2017

 

“Le Figaro” ka botuar të dielën e 27 nëntorit 1932, në faqen n°2, një shkrim me rastin e 20 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

 

Prestigjiozia franceze ka vënë në dukje asokohe përparim-zhvillimin e kombit tonë nën drejtimin e mbretit Zog.

 

Si ka qenë situata e Shqipërisë në vitin 1932 ? Në vijim, përshkrimi i “Le Figaro”, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

 

28 nëntorin e ardhshëm, Shqipëria do të festojë 20 vjetorin e pavarësisë. Pikërisht, me 28 nëntor 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë në Vlorë, pavarësi e njohur me 20 dhjetor nga Konferenca e Londrës.

 

Shqipëria ka bërë përparime të jashtëzakonshme nën udhëheqjen e mbretit Zog. Janë ndërtuar qindra kilometra rrugë, ura dhe shumë shkolla. Porti i Durrësit, punimet e të cilit kanë filluar prej tetë vitesh, së shpejti do të përfundojë. Uzina elektrike, kanale ujitëse, janë në ndërtim e sipër. Tetë linja ajrore lidhin vendin me pjesën tjetër të botës. Janë mundësuar udhëtime me anije, me ardhje dhe vajtje ditore ; këto anije janë ndërtuar me komoditetin më të fundit. Një hotel i madh dhe shumë modern është afër përfundimit në Durrës. Pikërisht, në plazhin e këtij qyteti, mbreti Zog e ka për zakon të kalojë pushimet e tij verore. Pavarësisht krizës globale që, natyrisht, ka prekur edhe Shqipërinë, zhvillimi i vendit nuk është vonuar.

 

Të gjithë udhëtarët që kanë qëndruar në Shqipëri e dinë se të huajt janë të mirëpritur. Madje, atyre u jepen shpesh konçesione. Kështu, ata kontribuojnë në prosperitetin e vendit.

 

Shqipëria ka miratuar moton “Ballkani për popujt e Ballkanit”. Sjellja e saj politike është të jetojë në marrëdhënie të mira me popujt fqinjë. Traktatet janë nënshkruar me vende të ndryshme. Tirana e vlerëson veçanërisht miqësinë e Francës, e cila në shumë raste ka pasur një ndikim të madh në çështjet shqiptare.

 

Le të shtojmë se shumë shqiptarë, të cilët janë në krye të punëve të vendit të tyre, kanë studiuar në Francë. Mbreti Zog, i cili e njeh mirë gjuhën tonë, është një ndjekës i zjarrtë i kulturës franceze. Shkrimtarët tanë të mëdhenj janë leximet e tij të preferuara. Dhe, thuhet se, ai nuk kalon një ditë, pa lexuar një numër të madh gazetash franceze.

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/20-vjetori-i-pavaresise-shqiperia-ka-bere-perparime-te-jashtezakonshme-nen-udheheqjen-e-mbretit-zog-le-figaro-1932/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.

CIA: Ja planet e Kremlinit për Shqipërinë më 1954, Shehu u bë kryeministër me urdhër të rusëve

CIA ka zbardhur synimet që kishte Bashkimi për Shqipërinë gjatë bashkëpunimit të vitit 1954. Sipas një dokumenti të deklasifikuar, Moska po synonte që ta forconte Shqipërinë për shkak të pozitës gjeografike. Më tej tregohet se si Mehmet Shehu u bë kryeministër me urdhër të tyre.

Shkurt 1950

Rregullore

Fermat individuale me deri në dhjetë kokë bagëti ose dhi për hektar, duhet t’i dorëzojnë shtetit 1.25 kg lesh, ndërsa ato me 21 deri në 40 kokë duhet të dorëzojnë edhe 0.7 kg më shumë. Fermat kolektive të bagëtive duhet të dorëzojnë te shteti 0.4 kg lesh për çdo kokë dele ose dhi. Rezidentët qytetarë që zotërojnë pesë ose më pak bagëti nuk janë të detyruar të dorëzojnë lesh. Leshi i dorëzuar sipas kuotave të mësipërme duhet të jetë i pastër dhe i prerë nga gjedhët lokale, i thatë dhe me jo më shumë se 3 për qind lëndë të huaj. Leshi nga bagëtitë e vdekura ose të pista nuk pranohet. Dorëzimet e detyrueshme të kuotave të leshit duhet të bëhen brenda datës 30 korrik, përveç rasteve kur individët ose fermat kanë afatin e tetorit. Fermat që nuk kanë bagëti mund të lejohen nga i plotfuqishmi të shlyejnë detyrimet e tyre në produkte të tjera sipas kësaj shkalle të krahasimit; 1 kg lesh i barabartë me 5 kg mish, katër kilogramë mish shpendësh, 60 vezë, 800 gramë gjalpë, 7 kg fasule, 1 kg dhjamë, 24 kg drithë, ose 1 kg vaj ulliri. Çdo person që nuk plotëson kuotat e tij të dorëzimeve peshon konfiskime të menjëhershme nga i plotfuqishmi. Ata që refuzojnë të bëjnë dorëzimet, fshehin apo shkatërrojnë leshin, ndiqen penalisht për pengim të tregtisë, spekulim, spiunazh dhe sabotazh. Fermerët që zotërojnë deri në 40 kokë lopë duhet t’i dorëzojnë shtetit 32 kg mish për çdo hektarë tokë.

Plani i misrit

Sipas të dhënave të komitetit bujqësor plani i mbledhjes së misrit në të gjithë Shqipërinë është realizuar në masën 71.1 për qind. Rezultate të mira u arritën në rrethin e Gramshit ku plani u realizua në 94.6 për qind, Pogradec 86.5 për qind, në Peshkopi 88.3 për qind dhe në Korçe 85.2 për qind. Në zonat e tjera fushata e korrjeve ishte mbrapa me organizimin e punës. Në Vlorë plani u realizua në vetëm 48.3 për qind, në Fier 53.5 për qind, në Lushje 57 për qind dhe në Tepelenë 64.6 për qind. Afati i fundit për dorëzimet e misrit ka kaluar tashmë dhe komitetet ekzekutive të zonave shkelëse duhet të marrin masa serioze edukative dhe organizative kundër kulakëve që pengojnë realizimin e planit. Sipas vendimit të këshillit të ministrave të 31 dhjetorit 1949, pas realizimit të planit të dorëzimeve bujqësore, është e lejueshme shitja e lirë e tepricave të thekrës, tërshërës, elbit dhe produkteve të tjera dytësore në rrethet e Burrelit, Lushjes, Elbasanit, Beratit, Pogradecit e Tiranës. Vendimi lejon dhe shitjen e lirë të tepricave të misrit në rrethet e Pukës e Burrelit, pas realizimit në 100 për qind të planit të dorëzimeve.

Shkurt 1954

Hotelet dhe hanet

Në Shqipëri nuk ka hotele në pronësi private apo me administrim privat, ato të gjitha zotërohen dhe administrohen nga shteti. I vetmi hotel luksi në Shqipëri është hotel Dajti në Bulevardin Shqipëria e re. Ai është ndërtuar nga italianët në vitet 1944-1945, ndërsa tani përdoret për rezidencën e misioneve të huaja diplomatike ose të qytetarëve të privilegjuar shqiptarë si deputetë, anëtarë të komitetit qendror të partisë, ose drejtorë fabrikash e institucionesh. Çmimi për një dhomë është 300 lekë nata. Tirana ka gjithashtu hotele ku mund të qëndrojnë të gjithë qytetarët që mund të bëjnë pagesën 100 deri në 200 lekë nata. Dhomat janë energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm. Në disa hotele dhomat kanë banjë private. Përveç rreth dhjetë hoteleve, në Tiranë është dhe Bujtina e Shoqatës së Invalidëve, fitimet e së cilës shkojnë për Shoqatën e Invalidëve. Në qytetin e Durrësit ka vetëm tre hotele: Vollga, Hotel Adriatik dhe Shtëpia e Beqarit ku mund të akomodoheshin vetëm oficerët e forcave të armatosura dhe pagesat u zbriteshin nga rrogat. Në Shkodër ka tre hotele me rrymë elektrike dhe ujë të rrjedhshëm, Hotel Kafja e Madhe, Hotel Internacional, Hotel Ballkan. Në qytetin e Kukësit ka dy hotele të njohur si hoteli 1 dhe hoteli 2. Dhe në qytete të tjera të vogla të Shqipërisë hotelet mbajnë numra e jo emra.

Hanet

Hanet janë tipi i cilësisë së ulët të hoteleve dhe ndodhen zakonisht në periferi të qyteteve të mëdha ose në qendra të vogla dhe nuk kanë as rrymë elektrike, as ujë të rrjedhshëm. Në rrethinat e Tiranës ka tre-katër hane, një në Kukës dhe tre në Shkodër. Dhomat e tyre ndriçohen me llamba vajguri dhe kanë legenë për larje. Ato nuk kanë as krevate të ndara dhe njerëzit rastis që flenë dhe 10-15 veta në një dhomë. Çdo klient merr vetëm dy batanije nga i zoti i hanit, dhe fle në rrogoz kashte. Çmimi për një person është 50 lekë nata ndërsa po aq kushton dhe strehimi i kafshës së tij të transportit ose të punës.

Dokumentacioni i kërkuar

Për t’u akomoduar në hotel nevojitet letërnjoftimi. Nëpunësi i hotelit shënon të gjitha të dhënat dhe ia kthen letërnjoftimin të zotit. Oficerët e sigurimit mund të kontrollojnë hotelet gjatë natës, ose dhe dhomat e klientëve nëse ka dyshime për çifte të pamartuara. Sipas rregulloreve të hotelit vetëm çiftet e martuara mund të qëndrojnë në një dhomë hoteli dhe për këtë duhet të kenë me vete dokumentin e celebrimit. Nëse një person nga Tirana shkon për shembull në Kukës, ai nuk ka nevojë të lërë letërnjoftimin në hotel. Në qytezat e vogla nuk ka hotele ose hane dhe nj qytetar i zakonshëm mund të gjejë akomodim vetëm duke trokitur në dyert e shtëpive dhe të kërkojë mikpritje. Kjo mënyra zakonisht sjell rezultat në veri të Shqipërisë, ku mikpritja i jepet çdokujt sipas rregullave të fesë myslimane, ndërsa në jug të Shqipërisë situata varet nga zgjedhja e çdo familjeje.

Administrata e hoteleve

Hotelet shtetërore administrohen nga ndërmarrja tregtare e hoteleve e restoranteve e vendosur pranë ish-kafe Berlin në bulevardin Shqipëria e Re. Ajo ndihmohet nga ndërmarrja tregtare e Vesh-Mbathjes në rrugën e Barrikadave dhe nga ndërmarrja e artikujve të përzier, në furnizimet e hoteleve e restoranteve, si dhe nga kooperativat e ndryshme për furnizimet ushqimore.

20 gusht 1954

Rekrutim i agjentëve në Durrës e Bari

Zyra jonë ka marrë informacione që prej pranverës se ka pasur një rritje të aktivitetit ushtarak e politik në Shqipëri. Situata të bën të besosh se Bashkimi Sovjetik mund të ketë ndërmend të përdorë pozitën gjeo-strategjike të Shqipërisë më shumë nga sa besohej më parë. Prandaj ne kemi përqendruar burimet dhe personelin tonë për marrjen e informacione shtesë.

Informacione të besueshme

Gjatë muajve maj-korrik 1954 jemi siguruar nga burimet dhe me anë të observimeve se aktiviteti i trafikut detar mes BRSS dhe Shqipërisë është shtuar shumë. Ka pasur shtim të materialeve të transportuara drejt Shqipërisë, i konfirmuar nga një burim i krijuar së fundmi. Ngarkesat e mallrave në portin e Durrësit janë shtuar dhe provat fotografike tregojnë se ka nisur puna në instilacionet e mbrojtjes. Tre mjete detare janë dalluar së fundmi, një pranë Durrësit dhe dy në Vlorë, të vëzhguara nga mjetet e marinës italiane dhe të konfirmuara nga burimi ynë i ri në Durrës. Shtim të aktivitetit ka pasur edhe në qiejt shqiptarë, duke përfshirë stërvitje ajrore gjatë ditës në Durrës. Fuqia e personelit ushtarak sovjetik në Shqipëri është shtuar në 400 njerëz, ndërsa disa ushtarakë shqiptarë janë dërguar për stërvitje dhe trajnim në bazën sovjetike të Odesa. Disa zyrtarë të forcave ajrore janë dërguar për stërvitje në Sevastopol. Kohët e fundit ka nisur një riorganizim i gjerë i forcave të armatosura shqiptare. Një numër ushtarakësh nga Gjermania Lindore ka ardhur në Shqipëri në rrugë detare nga Gdynia. Është raportuar prezenca e tre nëndetëseve ruse në ujërat shqiptare, teksa raportohet se së shpejti marina sovjetike do të kalojë një luftanije, tre korveta dhe tre barka më të vogla ushtarake, për ushtrinë shqiptare.

Aktiviteti politik

Padyshim, Enver Hoxha është zëvendësuar në postin e kryeministrit nga Mehmet Shehu me urdhër të sovjetikëve.Ndryshime ka pasur dhe në organe të tjera të administratës, duke shtuar mjetet e kontrollit për sovjetikët si në nivele të larta edhe më të vogla. Duke pasur parasysh këtë situatë, mund të arrihet në konkluzionet se Bashkimi Sovjetik nuk e konsideron më Shqipërinë si një bazë të largët të pambrojtshme, por përkundrazi duket se po përpiqet ta forcojë Shqipërinë ushtarakisht dhe politikisht, për ta kthyer në një pikë të shfrytëzueshme të zonës gjeografike të një aleance të re Ballkanike. Sinjalizimet tregojnë se shfrytëzimi ushtarak i Shqipërisë mund të bëhet vetëm për qëllime ofensive, gjë që bie në kundërshtim me ritmin e ngadaltë politik dhe ekonomik të së shkuarës, që të bënte të besoje se strategjia sovjetike kishte vetëm qëllime mbajtjeje. Rikujtojmë se informacioni i referohet vetëm disa zonave të Shqipërisë, dhe për periudha kohe të caktuara. Por është logjike të supozojmë se rritja e aktivitetit të mësipërm mund të shtrihet në të gjitha zonat e Shqipërisë.

Monitorimet dhe rekrutimet

Operacione tona në Shqipëri aktualisht janë në faza të ngadalta, duke u fokusuar në ruajtjen e shërbimit të korrierëve me mjete detare, monitorimit të mjeteve italiane që kalojnë në portin e Durrësit. Kjo kryhet me anë të kontakteve me pronarët dhe kapitenët e mjeteve, duke arritur 54 ditë monitorimi në një periudhë 90-ditore. Kemi depërtuar gjithashtu në sektorin detar në Bari, i cili ka kontakte me Shqipërinë. Duke parë rritjen e interesit rus në Shqipëri propozohet edhe intensifikimi i përpjekjeve tona në atë vend, duke nisur me shtimin e personelit për të përhapur rrezikun mbi vëzhguesit e monitoruesit e mjeteve. Rekomandohet rekrutimi i të paktën katër njerëzve të trajnuar si makinistë e operator radio, për të operuar nga barkat që ndalojnë në portet shqiptare. Hapa duhet marrë për shtimin e kontakteve me pronarët e barkave që përdoren dhe ofrimi i formave të shpërblimit për pronarët, në këmbim të riskut të përfshirë, pasi deri tani u kemi ofruar naftë nga pikat e furnizimit. Sugjerohet që një barkë e kontrolluar nga shërbimi, me instilacione të veçanta dhe ekuipazh të zgjedhur të punojë kundër Shqipërisë në Vlorë, në zonën e Porto Palermos. Një tjetër mjet i ngjashëm me të parin, mund t’i lejojë vetes të kapet nga forcat shqiptare, në mënyrë që të njohim metodat e sigurisë dhe të marrjes në pyetje, nga observuesit tanë profesionistë. Burimi ynë i ri në Durrës duhet të shfrytëzohet më intensivisht, duke siguruar se shpërblimi financiar do të paguhet te familja e tij. Agjenti ynë në Bari gjithashtu duhet të shfrytëzohet më shumë dhe duhet caktuar një shpërblim i rregullt për të.

Korrik 1965

Lufta psikologjike

Për shumë arsye popullatat e vendeve të bllokut sovjetik nuk preken nga fushatat e luftës psikologjike pasi kushtet aktuale dhe mendësia popullore ndaj BRSS nuk i përshtaten teknikave të luftës psikologjike të përdorura njëzet vjet më parë. Kjo nuk do të thotë se në këto vende nuk ka disidencë apo grupe disidence. Por fjalët e vetme nuk mjaftojnë për të ndryshuar mësimet e hidhura të mësuara ngjarjet në Berlin në 1953 dhe Hungari në 1956 të cilat kanë sjellë gradualisht një regjim të përgjithshëm indiference dhe kompromisi mes popullit dhe regjimit.  Duhet të merret gjithashtu në konsideratë se vitet e fundit, me përjashtim të Bullgarisë e Shqipërisë, vendet lindore kanë arritur të miratojnë politika që reflektojnë interesat kombëtare, përkundër atyre që i interesojnë BRSS apo bllokut sovjetik në tërësi. Pakënaqësia me BRSS për shumë aspekte të sistemit është e përhapur gjerë por dallimi mes disidencës dhe rezistencës konkrete është i madh.

Prill 1977

Situata Jugosllavi-Greqi

Raportimet e javës së fundit nga Ballkani tregojnë për mundësinë e veprimit gueril të BRSS ndaj Jugosllavisë. Një veprim i tillë supozohet të nisë fillimisht drejt Maqedonisë nga Bullgaria, ku janë grumbulluar rreth 4000 jugosllavë anti-Tito, si dhe nga grupe më të vogla disidentësh jugosllavë në Shqipëri dhe Hungari. Reagimi i mundshëm i Titos ndaj veprimeve të tilla do të ishte i ashpër prandaj mund të rezultojë dhe një sulm ushtarak ndaj Bullgarisë, që nga ana e tij do të sillte luftë të hapur mes satelitëve Ballkanikë. Ndërkohë, marrëveshjet e fundit mes Jugosllavisë dhe Evropës Lindore tregojnë se Kremlini ende nuk ka ndërhyrë për pezullimin e lidhjeve të Jugosllavisë me vendet e orbitës sovjetike. Arritjet e fundit të Aleancës së Atlantikut Verior dhe sfida e hapur e Titos ndaj BRSS po japin efekt në Evropën Lindore, me një rritje të shpresave të jo-komunistëve për një çlirim eventual nga kontrolli i Moskës. Por në të njëjtën kohë BRSS po shtrëngon masat për forcimin e bastioneve komuniste në rajon. Elementet jo-komunistë tani besojnë se Perëndimi ka shprehur vendosmërinë e tij për të ndaluar përhapjen e komunizmit dhe rrjedhimisht do të nxisë çlirimin e Evropës Lindore. Kjo lloj mendësie edhe pse e bazuar vetëm te dëshira, do të shtohet, sidomos në vendet kufitare të bllokut komunist si Suedia, Gjermania, Austria e Italia. Ndërkohë edhe BRSS po merr masat e tij për forcimin e komunizmit, eliminimin e influencave perëndimore etj. Në lidhje me propagandën e përforcimit të ideologjisë së tij, BRSS duket se ka nisur një fushatë antisemite në mbrojtje të superioritetit të kulturës dhe racës ruse. Hebrejtë kanë qenë gjithmonë një grup i dukshëm jo-rus dhe i hapur ndaj influencave të huaja, prandaj dhe janë një objekt i thjeshtë demonizimi. Autoritetet ruse kanë ndaluar disa publikime herreje si dhe kanë sulmuar shkencëtarë të veçantë hebrej e anëtarë të inteligjencës duke i etiketuar si “kozmopolitanë të pastrehë” apo “endacakë pa pasaportë”. Kjo ndoshta ka si qëllim nxitjen e emigrimit të tyre të detyrueshëm në koloninë herreje Birobixhan në Siberi.

Jugosllavia

Raportimet për prezencën e mundshme të rreth 4500 jugosllavëve të armatosur anti-Tito në Bullgari tregojnë për intensifikimin e fushatës ruse anti-Tito dhe përgatitje të mundshme për nisje të fushatës guerile nga Maqedonia. Këto forca do të ishin një instrument i dobishëm në rast fushate guerile, të ngjashme me atë të pas-luftës në Greqi, nga Shqipëria. Grupe më të vogla disidentësh po organizohen gjithashtu në Hungari dhe Shqipëri. Disa transmetime të kohëve të fundit në radion bullgare kanë përmendur trajtimin e padrejtë të maqedonasve nga Tito, çka mund të jetë propagandë për nxitjen e veprimit direkt.

Kujtimet e panjohura të Edit Durhamit: Kush e tradhtoi Shkodrën?

Rënia e Shkodrës në duart e malazezëve dhe qëndrimi i Fuqive të mëdha

 “Lufta për Shkodrën” sipas kujtimeve të Edith Durhamit një shekull e ca më parë, shqipëruar nga Xhevat Lloshi, është padyshim një nga librat më të vyer në panairin e sivjetëm të Librit në Tiranë. Këto kujtimet të zonjës së famshme angleze vijnë për herë të parë të plota në shqip nga Shtëpia Botuese “Argeta LMG”

Rënia e Shkodrës bëri përshtypje të ndryshme në legatat e huaja në Cetinjë. Franca dhe Rusia e shprehën hapur gëzimin e tyre. Veprimi i mbretit Nikollë pa dyshim erdhi si pasojë e vonesës me dashje që shkaktuan këto dy vende.

— Ju nuk mund ta kapërceni dot le fait accompli!” [fr. fakt i kryer] – më tha dikush.

— Përveçse duke kryer një tjetër, – ia prita unë.

Disa midis të dërguarve diplomatë ishin tërbuar dhe të gjithë e dinin se kjo do të kërkonte një punë të lodhshme e me përgjegjësi, ndërsa ishin të preokupuar sipas rolit që luanin. Fuqitë e Mëdha kishin arritur vetëm një gjë. Me anën e përfaqësuesve të tyre shumë të fuqishëm, i kishin dhënë të kuptonte Malit të Zi se në Shkodër nuk duheshin bërë veprime dhune. Çdo hap i tillë do të sillte pushtimin e menjëhershëm të Cetinjës nga ushtritë austriake dhe një zbarkim të forcave të përbashkëta. Si pasojë, autoritetet lejuan vetëm batalionet e tyre më të qytetëruara për të marrë në zotërim qytetin dhe e mbanin rendin në pjesën më të madhe me vullnetarë sllavë të ardhur nga jashtë.

Princi Danilo hyri në Kalanë e Shkodrës në 24 prill, ngriti atje flamurin malazias dhe mori çelësat nga Esadi, i cili u nis menjëherë për Tiranë me ushtritë turke. Por nuk u bë ndonjë hyrje ceremoniale në qytet. Mbreti duhej ta bënte këtë më vonë.

Më 25 prill së bashku me z. Lok të gazetës “The Times” u nisa për Shkodër, me shqetësim të madh për gjendjen e miqve të mi. Morëm dy thasë të mëdhenj me bukë dhe disa arka me ushqime të tjera.

Shkodra e shkretë, nga ku isha larguar nëntë muaj më parë, kishte një pamje të mjerueshme. Banorët ishin gjysmë të hutuar nga terrori dhe zia e bukës, ishin të tmerruar se mos mbeteshin në duart e Malit të Zi. “Sikur ta dinim se do të kishim ndihmën afër,” thoshin shumë veta, “ne mund të kishim qëndruar një ose dy ditë më shumë. Kishim dëgjuar se kishin ardhur anijet, por pasi kaluan ditët njëra pas tjetrës dhe asnjë ndihmë nuk po vinte, menduam se do të ishin anije greke ose bullgare me më shumë  trupa të tjera”. Në të vërtetë, popullsia nuk dinte gjë se ç’po ndodhte. Ushtarët malazez tashmë kishin nisur t’u thoshin katolikëve se shpejt do ta mësonin se si duhej të bënin kryqin.

Shtëpitë e shkatërruara dhe njerëzit e plagosur vërtetonin deklaratat plot indinjatë të konsujve dhe të kryepeshkopit, se ishte zgjedhur posaçërisht popullsia civile si objekt bombardimi. Shkollat, kishat, spitalet dhe konsullatat, të gjitha ishin vënë në shënjestër më tepër sesa kalaja apo kazermat. Ishin goditur të gjitha dhe disa qenë shkatërruar. Nuk kishte mundësi që të gjitha të ishin goditur rastësisht. Zjarr i rëndë qe përqendruar kundër konsullatës britanike. Jo vetëm që ishte goditur dhe z. Suma qe plagosur, por si shtëpia që ndodhej përballë, ashtu dhe ajo në krah të saj, qenë shkatërruar fare.

Katedrales nuk i kishte mbetur gjë nga shkëlqimi i dikurshëm. Çatia ishte bërë shoshë, shenjtorja dhe kulla ishin djegur, gropa të mëdha qenë hapur në dysheme nga predhat. Dyzet predha e kishin goditur, pesëmbëdhjetë nga të cilat qenë të kalbrit shumë të madh. Pothuaj dy mijë veta qenë strehuar atje me gjithë plaçkat e tyre, duke besuar se do të ishin të sigurt, por kishin ikur në panik. Disa ishin plagosur dhe shumë veta kishin humbur të gjitha gjërat mes flakëve. Kuvendi, gjithashtu, ishte shkatërruar, dy murgjër ishin vrarë dhe një ishte plagosur.

I shkreti plaku Marko dhe familja e tij kishin mbetur gjallë me ndihmën e vëllait të kryepeshkopit, i cili i kishte mbajtur me ushqim. Por ata ishin të sëmurë e mezi mbaheshin, po ashtu si shumë të tjerë.  Në shtëpitë më të varfra njerëzit dergjeshin përtokë, në shkallën e fundit të mjerimit. Si ushqim kishin përdorur gjithçka: breshkat, bretkosat, iriqët dhe radhiqet. Gjatë njëzet e tetë ditëve të fundit qenë shpërndarë fare pak racione. Shumë njerëz kishin ngrënë bimë pak a shumë helmuese (sidomos rrënjë shumë të tharta të një lloj zambaku), ose ishin munduar të bënin bukë me farë liri. Këto kishin shkaktuar diarre akute. Unë pashë një burrë se si ra dhe vdiq në rrugë, ndërsa ushqeva vetë një fëmijë të bërë si skelet.

Malazeztë u kishin dhënë miell krerëve të komuniteteve katolike dhe myslimane, ditët e para ua shpërndanë pa pagesë. Populli priste para depove në radhë të gjata.

Deri tani të gjitha rezervat ushqimore ishin në duar të malazezve dhe asgjë nuk mund të importohej. Të gjithë miqve të mi dhe fqinjëve u dhashë nga fondi im.

I gjori plaku Marko ishte i dëshpëruar. Kopshtin e tij e kishin zënë ushtarakët turq si vend për barakat e kazermave, qenë ngritur katër baraka të tilla prej dërrase. Bimbashi, kur iku, i kishte dhënë Markos një letër të firmosur ku thuhej se, për dëmin e shkaktuar, të gjitha gjërat e lëna në kopshtin e tij mbeteshin pronë e tij.

Por trupat malazeze vërshuan brenda dhe kur mbërrita unë po plaçkisnin me rrëmbim, rrëzonin barakat, thyenin xhamat dhe tullat, duke bërtitur si bisha të egra. I urdhërova të largoheshin dhe meqë nuk pranuan të bindeshin, shkova drejt e në kamp dhe iu ankova ofircerit, se njerëzit e tij po silleshin më keq nga turqit dhe po bënin një përshtypje shumë të keqe në popull, U vendos një rojë, por shpejt u hoq. Erdhën prapë ushtarët dhe nisën përsëri. I gjori Marko nuk fliste nga frika, gati po qante kur shihte plaçkat që po i zhdukeshin. Unë i dëbova për të dytën herë dhe i kërcënova se do të shkoja te gjenerali për këtë punë.

Arriti Petar Plamenaci, i emëruar qeveritar i Shkodrës. Ishte dita 28 prill. Kafazi malazias më takoi në rrugë dhe më tha se Petari donte të më takonte sa më parë. Shkova drejt e në konsullatën malazeze, ku qe vendosur ai. “Ju përgëzoj”, – i thashë. “Gjatë luftës më kishit thënë se ia kishit vënë syri këtij posti. E arritët qëllimin”. Petari dukej i shqetësuar.

— Çfarë! – thirri ai. – Ju, ju që i njihni vështirësitë e gjendjes, më përgëzoni?

— Në rast se do të keni sukses, sa më të mëdha të jenë vështirësitë aq më i madh do të jetë nderi, – i thashë unë.

— Mon Dieu! Mon Dieu! – thirri Petari. – Çfarë mund të bëj? Unë e hartova të gjithë marrëveshjen me Esadin, përcaktova tërë kushtet e dorëzimit. Besoja se kjo do të ishte kurorëzimi i jetës sime dhe se do të isha në gjendje të tërhiqesha nga jeta shtetërore duke e mbyllur me nder karrierën time!

M’u duk për të qeshur ideja e tij për të mbyllur karrierën, kur dihej se Petari as nuk i kishte mbushur të dyzetat. Nuk nxora asnjë fjalë.

— Unë ju thirra, – vazhdoi ai, – që të kërkoj ndihmën tuaj. (“Ç’dreq doni”, thashë me vete). Unë ju lutem që, pasi ju e kuptoni këtë popull, të zini një shtëpi diku dhe të qëndroni për të më ndihmuar.

Unë i thashë se shpresoja të qëndroja pak, por ende nuk kisha ndonjë plan të caktuar. — Gjendja, – tha Petari, – është shumë e ndërlikuar.

— Shumë, – ia prita unë.

— Çfarë do të më këshillonit të bëja me malësorët?

— Kurrgjë, – u përgjigja unë. – Mos u ngatërroni me ta në asnjë mënyrë, po qe se nuk dëshironi të keni shqetësime. Ata të gjithë ju urrejnë.

— Edhe unë jam i këtij mendimi. Jemi dakord. –  Kur pastaj fare papritur, dhe duke mos u përmbajtur ia nisi:

— Ju – ju – ju, vetëm një fjalë e vogël nga ju, vetëm një fjalë e këta malësorë do t’ju vijnë pas. Foluni një fjalë për ne, një fjalë të vogël, – ju lutem, ju përgjërohem!.

Shumë gjëra po më silleshin ndër mend. Për të tretën herë Mali i Zi po më lutej për ta nxjerrë nga gjendja e vështirë ku ndodhej. Jo më shumë se dy vjet më parë m’u kërkua që të ndihmoja për t’i kaluar përsëri përtej kufirit malësorët e tradhtuar. Tani Petari më lutej me përulësi që ta ndihmoja për t’i futur përsëri nën thundrën malazeze. Nuk e di nëse kam ndier ndonjëherë tjetër një përbuzje të tillë për një qenie të gjallë, ashtu siç ndieja në atë çast për Petarin.

— Çdo gjë është në duar të Fuqive të Mëdha, – thashë unë (duke shpresuar se ato do të vepronin shpejt). – E kush jam unë? Unë nuk mund të bëj asgjë.

— Ju, natyrisht, e kuptoni, – tha Petari, duke u dridhur kur u përmendën Fuqitë e Mëdha, – se ne e morëm Shkodrën dhe do të mbetemi këtu?.

— Plotësisht, – iu përgjigja unë. – E kam dëgjuar këtë tashmë shumë herë.

— Dhe se ne më parë lëmë pikën e fundit të gjakut tonë këtu, sesa të tërhiqemi.

— Plotësisht ashtu. E kam dëgjuar këtë tashmë disa muaj me radhë. – Petari u drodh përsëri.

— A mund të mbështetem në ndihmën tuaj? – pyeti ai.

— Pa më siguruar se e njëjta drejtësi do të zbatohet ndaj myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve, mos prisni gjë nga unë. Është një çështje për të cilën unë nuk lëshoj pe. Deri  tani gjatë luftës kam parë vetëm marrëzira, korrupsion dhe barbari. Ju ndoshta nuk keni dijeni për sjelljen e Stanko Markoviqit në Podgoricë. Ai dëshironte të vdisnin urie…

— Ah, mon Dieu! mon Dieu! – thirri Petari. – Ju nuk e dini  sesa keq më vjen për këtë gjë. Nuk dashkeni të keni besim te unë për shkak të sjelljes së një bishe, të një kafshe si Stankoja?

— Unë, gjithashtu, kam dëgjuar se çfarë ka ndodhur në vise të tjera. Dhe ju duhet ta pranoni se Sankoja është qeveritari i qytetit më të madh të Malit të Zi. Në qoftë se është e tillë drejtësia e një qyteti të madh, ç’lloj drejtësie mund të pritet në krahinat e largëta? Boll kam dëgjuar për këto gjëra. –  Petari dukej i dëshpëruar. Ai hapi një kuti dhe nxori ca letra.

— Shiko, – më tha, – ju vetë do t’i caktoni nëpunësit këtu.

Ai më kërkoi që t’i rekomandoja një përkthyes, i cili të fliste serbisht dhe shqip. Përkthyes të tillë ishin shumë të paktë, në kundërshtim me “26 000 sllavët” që përmendte Popoviqi. Ne zgjodhëm dy. Ai nisi nga gjykatësit. Sipas Petarit, në Malin e Zi kishte vetëm një shumë të mirë. Ne e emëruam atë, në letër.

— Ju e kuptoni, – tha Petari, – se ne do t’i trajtojmë me drejtësinë më të madhe të gjithë ata që janë me ne. Për të tjerët nuk do të kemi asnjë mëshirë.

— Tamam ashtu siç kini bërë në Gjakovë tashmë, – ia preva unë.

— A keni ndonjë propozim për të bërë? – pyeti ai.

— Do të ishte mirë mendoj unë, derisa të vendoset më shumë rregull, që të mbeten në fuqi kapitulacionet dhe njëfarë kontrolli evropian.

— Ne nuk do të lejojmë asnjë ndërhyrje… – filloi Petari.

— Nuk ia vlen të diskutojmë, – i thashë unë, – qysh se, para së gjithash, çdo gjë është në dorën e Fuqive të Mëdha. –  Petari bëri edhe një përpjekje tjetër.

— A keni ndonjë ankesë për mënyrën se si zbatohet drejtësia tani?.

— Sigurisht, ushtarët po e plaçkisin plakun Marko tamam si ujqër. – Më dha një urdhër me shkrim, që kjo të ndërpritej. Po a do të lejohesha gjithashtu që ta kapërceja Drinin dhe të shkoja për të ndihmuar fshatrat, që ishin djegur e plaçkitur nga serbët? – Ai papritmas mori zjarr.

— Nuk ka fshatra që të jenë djegur e plaçkitur nga serbët, – deklaroi ai. – Këtë gënjeshtër jua kanë thënë shqiptarët.

—Ma ka thënë Jovan Joviçeviqi, para pak kohe konsull i këtushëm. Ai më tha se ishte një skandal. – Petari u trondit.  — Unë dëshiroj të di gjithashtu nëse lejohet të ushqej të sëmurët dhe ata që po vdesin nga uria në qytet, apo në rast se ata e pranojnë ndihmën, do t’i kërcënoni me varje ose burgim, siç bëtë në Podgoricë?

Ai e dinte se kjo ishte e vërtetë dhe i shqetësuar në mënyrë të dukshme, më tha se parole d’honneur, unë isha e lirë të ndihmoja cilin të doja. Ai bëhej sipas rastit i besueshëm, lutës, provokues dhe i përulur. Gati sa nuk qesha me zë të lartë, kur ai e mbylli me këto fjalë:

— Sado që detyra është e vështirë, ju duhet të paktën të pranoni, zonjushe, se në të gjithë Malin e Zi unë jam i vetmi njeri me të vërtetë i aftë për ta marrë përsipër këtë gjë.

Unë pothuaj ia dhashë të qeshurit.  Puna ishte se kjo ishte llogaritur si një goditje për Luis Vojnoviqin. Unë mora përsipër ta ndihmoja me kusht që të zbatohej drejtësia e përpiktë, në rast se ai do të qëndronte, dhe i thashë: “Mirë u pafshim”. Ashtu siç e solli fati, nuk pata rastin ndonjëherë tjetër të flisja me të. Gjëja më kryesore për ta vënë në dukje nga kjo bisedë ishte, ndoshta. se ai nuk guxoi të mohonte qoftë edhe vetëm një nga akuzat e mia.

Koha kalonte si makth dhe dukej pa mbarim. Asnjë lajm nuk lejohej të vinte në qytet. Asnjë letër nuk mund të dërgohej dhe të merrej, përveçse me anën e ndonjë korrespondenti ose ndonjë të huaji tjetër që vinte ose ikte. Mali i Zi ndërkaq punonte në mënyrë të ethshme që, me kërcënime ose premtime, ta bënte popullsinë të nënshkruante letra ku do të deklaronte se dëshironin t’i përkisnin Malit të Zi. Njerëzit të tmerruar nuk dinin ç’të bënin. Ata nuk donin të ishin malazez, por anijet e Fuqive të Mëdha qëndronin pa vepruar dhe çdo shpresë për ndihmë po zhdukej. Ndoshta Fuqitë e Mëdha, në fund të fundit, kishin pranuar fait accompli. Kryepeshkopi mbajti një qëndrim të vendosur. Atij iu ofrua një shpërblim i madh si shtetas malazias në rast se do t’i bënte katolikët të nënshkruanin, por ai refuzoi, duke thënë se një gjë e tillë nuk duhej zënë në gojë në pallatin e tij. Shumë patriotë të njohur u detyruan të arratiseshin natën dhe të fshiheshin, duke shpëtuar tamam në kohë, sepse të nesërmen vinin ushtarët për t’i arrestuar meqë u kishin thënë njerëzve: “Të mos firmosnin dhe Fuqitë e Mëdha do t’i shpëtonin”. Mali i Zi, gjithashtu, u orvat që t’i ngrinte myslimanët kundër katolikëve. Vendi gëlonte nga spiunët. Asnjë nuk guxonte të fliste.

Unë isha e zënë tërërisht me punën e ndihmës.  Erdhën dy ndihmëse mjaft të afta,, zonjusha Bakston dhe zonjusha Robertson, kjo infermiere e kualifikuar.  E vetme nuk do t’i kisha bërë ballë punës. Austriakët dhe italianët kishin një anije ndihmash që i priste, por nuk lejoheshin të vepronin derisa të sqarohej situata politike. Prej fshatarëve që zbrisnin nga malësia merrja fasule të thata nga ato që nuk i kishte prekur lufta. Bënim vizita shtëpi më shtëpi gjithë mëngjesin, me ekstrat lëngu mishi dhe me qumësht të kondensuar ushqenim njerëzit që po vdisnin dhe këto i kisha sjellë me vete, ndërsa pasditeve punoja te ambulanca për ata më pak të sëmurë, kurse atyre që po vdisnin urie u shpërndaja racione fasulesh e orizi. Moti u bë shumë i nxehtë dhe puna në kasollet mbytëse e të ndyra, si dhe midis turmës së njerëzve, ishte rraskapitëse. Turma ushtarësh lëvrinin në qytet. Pijetoret ishin mbushur plot. Ishte një kohë me shqetësime. Tregtarët filluan të ankoheshin se ushtarët po i vidhnin. Asnjë gazetë nuk vinte. Takova te ura e Bunës vojvodën Vukotiq, vëllanë e mbretëreshës. “Sa kohë keni që ndodheni këtu?”, më pyeti ai. “Po pres që të shoh hyrjen zyrtare të mbretit”, i thashë unë. Atij nuk i erdhi mirë. “A është caktuar?” e pyeta.  “Jo”, m’u përgjigj.

E ndieva vetën më të lumtur. Sidoqoftë, Fuqitë e Mëdha po bënin diçka. Më 3 maj gjeneral Martinoviqi, komandanti ushtarak, u nis me nxitim për në Cetinjë. Ne po rropateshim me masën tonë  të të sëmurëve, pjesa më e madhe e të cilëve e mori veten me ushqim të kujdesshëm dhe me pak ilaçe të thjeshta. Erdhi lajmi se më datën 14 admirali britanik dhe përfaqësuesit e të gjitha fuqive të tjera do të merrnin në dorëzim qytetin.

Ishte një gjë tepër e mirë për të qenë e vërtetë. Kisha shpresuar dhe kisha patur frikë për Shkodrën gjatë muajve të vrenjtur të dimrit të gjatë. Dhe tani në të nxehtit e verës së hershme viti i pashpresë po zvarritej dalngadalë. Unë kisha frikë se mos madje në çastin e fundit Fuqitë e Mëdha, për të arritur qëllimet e tyre të veçanta, do të lejonin që kjo popullsi të martirizohej si gjakovarët dhe si popullsia e Gucisë. Më pas mund të ndodhte një masakër e madhe, e tillë si ajo që njoftohej nga Prizreni dhe afër Manastirit.

Në çastin e fundit malazeztë e panë se duhej të largoheshin dhe u hakmorën në mënyrë të poshtër. Qyteti u mbush plot me gra dhe burra malazez dhe besohej se ishin ata që i vunë zjarrin pazarit. Pazari gjithmonë qëndronte i mbyllur natën dhe gati të gjithë tregtarët ktheheshin në shtëpitë e tyre në qytet. Ai patrullohej krejt nga ushtarë malazez.  Pak pas mesnate shpërtheu një zjarr në tri pika njëherësh dhe për më tepër nisi në pjesët më të pasura të pazarit. Disa tregtarë që e diktuan zjarrin, u ndaluan nga ushtarët që të jepnin alarmin derisa të merrte mirë. Pastaj u bë e pamundur që të ndaloje flakët, derisa u shkatërrua krejt gjysma e pazarit. Unë shkova për të parë se ç’po ndodhte. Turma e malazezve, oficerë dhe të tjerë, qeshnin me të madhe. Dyqanxhinjtë pranë zjarrit u munduan më kot të shpëtonin mallrat, pjesën më të madhe të të cilave e kishin grabitur malazeztë. Meqë e mohonin me paturpësi se ata ishin fajtorë dhe midis të tjerash, ngarkonin me faj austriakët, unë bëra hetime në Plavnicë e në Podgoricë dhe zbulova se një sasi gjërash të plaçkitura ishin atje dhe njerëzit lëvdoheshin me to.

Nuk mund të vihej në dyshim  fajësia e Malit të Zi. Një zjarr i tillë nuk kishte rënë gjatë tridhjetë vjetëve; kjo ishte goditja e fundit që i dërrmoi shumë nga shkodranët e gjorë, të cilët shpresonin se me tregtinë që do të përtërihej, do ta merrnin veten nga humbjet e luftës. Në qytet u hap fjala se malazeztë kishin ndër mend edhe atë ta digjnin natën tjetër. Por nuk besoja se do të guxonin ta bënin këtë. Më 14 maj herët ata filluan të kalonin urën dhe të dilnin nga qyteti.

Ishte një ditë e bukur vere. Lumi shkëlqente nga dielli. Nga larg u duk një benzinatë. Po vinte gjithnjë e më afër. Popullsia kishte përgatitur flamurët shqiptarë dhe dëshironte të hidhte trëndafila në këmbët e nënadmiralit Burnej, por për keqardhjen e tyre më të madhe, i ndaluan të shprehnin gëzimin. Benzinata kaloi nën urën mbi të cilën po kalonin malazeztë në tërheqje. “Shihi ata anglezë trupmëdhenj e të shëndoshë”, tha dikush, duke bërë me shenjë nga marinarët. “Sikur të kishim edhe ne një qeveri që të na ushqente ashtu”.

Benzinata kaloi anës doganës së vjetër. Admiralët zbritën nëpër një dërrasë, u pritën nga disa autoritete malazeze dhe shkuan në qytet.  Kishte mbaruar pikëllimi dhe tensioni i gjashtë muajve të gjatë. Shkodra kishte shpëtuar.

CIA: Ja përplasjet që ndodhën më 1956 në Parti, Balluku telefonoi me urgjencë Hoxhën e Shehun, Tropoja qendër e spiunazhit jugosllav

Në vitin 1956 nisën përplasjet brenda Partisë Komuniste të drejtuar nga Enver Hoxha. Sipas një dokumenti të deklasifikuar nga CIA, shumë anëtarë shfaqën rezerva mbi politikat e partisë. Ata i kërkonin llogari Beqir Ballukut, i cili telefonoi me urgjencë Mehmet Shehun dhe Enver Hoxhë, që ishin në Shkodër e Vlorë. Nga ana tjetër, tregohet se si Tropoja u kthye në një qendër të fortë spiunazhi.

Tetor 1949

Gjendja ballkanike

Lufta sovjetike e nervave kundër Titos ka sjellë tashmë anulimin e marrëveshjes së miqësisë me Jugosllavinë dhe po tregon pasojat e dezertimit të Titos nga struktura e komunizmit sovjetik. Sfida e suksesshme e Titos po kthehet në një pikë fokusi të grupeve disidente komuniste dhe mund të bëhet mjet bashkimi i një fronti anti-stalinist. Çështja sigurisht është nëse komunizmi botëror do të drejtohet politikisht nga BRSS apo nga një aparat partiak ndërkombëtar. Tito ka hedhur dyshime mbi aftësinë e udhëheqjes së BRSS, duke prezantuar stilin e tij të drejtimit si më dashamirës. Kjo pikë tensioni në marrëdhëniet Jugosllavi-BRSS ka sjellë ndryshim të gjendjes në Ballkan. Bashkimi Sovjetik mund të gjenerojë politika anti-jugosllave në shumë drejtime si nga Hungaria, Bullgaria, Rumania e Shqipëria. Por ky kapacitet mund të pengohet nga njëfarë afrimi mes Jugosllavisë e Greqisë si dhe nga pasiguria e pozitës shqiptare. Por BRSS mund të veprojë për këtë duke shfrytëzuar dhe nacionalizmat antagoniste, të cilat mund të fokusohen te Maqedonia. Disa muaj më parë, kur nisi marrja e kontrollit nga guerilasit komunistë grekë, u dalluan shenja të nisjes së trazirave sovjetike në Maqedoni, apo dhe të nxitjes së nacionalizmit të shqiptarëve në Kosovë dhe minoriteteve të tjera. Guerilasit grekë tashmë janë reduktuar në vetëm 2500 në Greqi dhe tërheqja e tyre nga vendet fqinje si Shqipëria e Bullgaria tregon se nuk do të ketë operacione të organizuara. Tashmë guerilasit nuk kanë më kapacitete për të negociuar me qeverinë greke. Këta të fundit kanë besim tashmë në forcën e tyre dhe kishin kërkuar ndjekjen e komunistëve përtej kufirit shqiptar, por kjo do të kishte sjellë hakmarrje të vjetra territoriale dhe u ndalua nga amerikanët e britanikët. Tashmë qeveria greke është zotuar të mos veprojë kundër Shqipërisë por ka kërkuar nga OKB hetimin e çdo infiltrimi të ri të guerilasve nga Shqipëria dhe Bullgaria. Gjatë këtyre zhvillimeve, si Greqia dhe Jugosllavia, të nxitura nga SHBA kanë përmirësuar pozitat e tyre duke reduktuar aftësitë e BRSS për të arritur diçka në Greqi. Prandaj dhe Moska po largon vëmendjen nga përpjekja guerile në Greqi, ndoshta për ta organizuar atë kësaj radhe drejt Jugosllavisë. Rifokusimi i përpjekjeve për të nxitur aspiratat e vjetra sllavo-maqedonase do t’i shërbente një qëllimi të dyfishtë. Nga njëra anë do të përpiqej të dëmtonte Titon dhe federatën jugosllave, me të cilën janë bashkuar sllavo-maqedonasit, dhe nga ana tjetër njësitë e stërvitur guerile në Maqedoni do të mund të kërcënonin edhe Greqinë nëse lind nevoja.

21 gusht 1950

Situata e rezistencës në Shqipëri

Nga një prej misioneve tona në Shqipëri, i cili është në kontakt të afërt me lëvizjen e rezistencës, kemi marrë informacionin e shtjelluar në paragrafët e mëposhtëm. Sipas misionit tonë, shumë anëtarë të rezistencës shqiptare besojnë se nuk mund të durojnë më vuajtjet që po heqin dhe kanë vendosur të arratisen drejt Jugosllavisë në mundësinë më të parë. Ata do të preferonin të shkonin në Greqi, po të mos ishte për distancën e largët prej veriut të Shqipërisë deri në kufirin grek. Megjithë përpjekjet e bëra për t’i bindur që të qëndrojnë në Shqipëri, ata duket qartë se nuk mund të qëndrojnë një tjetër dimër në male, pasi jeta është aq e vështirë sa po i çon drejt çmendisë.

Tropoja, qendër e spiunazhit

Lideri i këtij misioni ka kërkuar të dijë nëse aktivistët politikë jugosllavë në Shqipëri (të raportuar më parë te ju) njihen prej nesh dhe nëse ata përfaqësojnë përpjekjen e Aleatëve. Ata pyetën gjithashtu nëse aktivistët anti-komunistë nga Shqipëria do të priteshin mirë në Jugosllavi. Në lidhje me mbështetjen jugosllave ndaj aleatëve, u pyet se cila ishte politika e Jugosllavisë në lidhje me Korenë. Mesazhi i mësipërm na informon se Tropoja është qendra e spiunazhit shqiptar dhe jugosllav, me agjentë jugosllavë dhe shqiptarë duke kaluar vazhdimisht kufirin. Agjentët jugosllavë përshkruhen se të gjithë kanë qenë më parë anëtarë të grupeve shqiptare të rezistencës. Më 10 gusht 1950 misioni ynë në vend dërgon një kontakt për të hetuar mbi ftesën për të takuar një person të paidentifikuar që dëshironte të furnizonte me armë dhe municione jugosllave misionin.

Lëvizjet e jugosllavëve

Mes popullsive të Shqipërisë së Veriut ka një bindje të madhe se jugosllavët po planifikojnë një lëvizje të armatosur në Shqipëri, me qëllim ngritjen e moralit të grupeve malore të rezistencës. Disa sasi armësh raportohet të jenë shpërndarë çdo ditë nga jugosllavët, të cilat janë pranuar edhe nga shqiptarët nacionalistë, të cilëve u janë afruar edhe para, por kanë refuzuar duke pritur aprovimin nga misioni ynë. Lideri i misionit trembet se një bujari e tillë nga ana e jugosllavëve do të ketë efektin e fitimit të simpatisë së shumë personave që kanë vuajtur shumë duke punuar për ne. Në konkluzion, lideri i misionit tha se puna e tij bindëse nuk do të ishte e mjaftueshme, prandaj kishte nevojë për instruksione urgjente për mënyrën e veprimit që duhet të ndiqte.

Mars 1957

Polemikat mes anëtarëve të komitetit qendror

Në një takim të komitetit qendror të partisë në Tiranë në pranverën e 1956, delegatët e Tiranës shprehën kritika të ashpra ndaj komitetit qendror dhe ndaj politikave të Partisë Komuniste. Takimi kishte një natyrë parapërgatitore ndaj kongresit të partisë që u mbajt në maj 1956. Në takim qeveria përfaqësohej nga ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, pasi Enver Hoxha ishte në Vlorë me pushime dhe Mehmet Shehu ishte në Shkodër. Balluku u pyet nga delegatët të jepte shpjegime në lidhje me kontrollin dhe censurën e shtypit. Por ai ishte i paaftë të jepte një përgjigje dhe ndjeu se pyetje të tilla kishin pasoja. Prandaj telefonoi Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun dhe u tha të ktheheshin menjëherë në Tiranë. Dy liderët erdhën në takim dhe u përpoqën të qetësonin gjakrat e përfaqësuesve. Kjo u bë kryesisht nga Enver Hoxha me anë të premtimeve të shumta për të ardhmen. Një ditë më vonë, në takimin e komitetit qendror Hoxha e Shehu sulmuan disa përfaqësues duke i quajtur tradhtarë e reaksionarë, çka solli shkarkimin e dy gjeneralëve Hylaj Spahiu dhe Tahir Kadare. Disa të tjerë u transferuan në zona të largëta nga kryeqyteti. Anëtarët e komitetit qendror të partisë u dërguan më tej si delegatë në zona të ndryshme të vendit për të qetësuar popullatën. Mehmet Shehu u dërgua në Vlorë ku foli në takimin e mbajtur në kinemanë e qytetit, dhe ngriti larg realizimin e planeve të qeverisë.

Morali i popullit

Pakënaqësia dhe zemërimi mbizotëron në të gjithë Shqipërinë prej gjendjes së rëndë ekonomike. Njerëzit shpresojnë që të shpërthejë lufta, si mënyra e vetme për të larguar regjimin komunist, pasi masat e rënda të sigurisë e bëjnë thuajse të pamundur nisjen e një kryengritjeje të brendshme. Megjithëse të gjithë i dinë pasojat e tmerrshme të një lufte, ata nuk i tremben më asaj sepse është e vetmja mënyrë për të sjellë një ndryshim drejt përmirësimit të kushteve të jetesës. Dëgjimi i transmetimeve të huaja në radio është i ndaluar, ata që zotërojnë radio dëgjojnë transmetimet shqiptare e greke të Zërit të Amerikës, BBC dhe Radio Athinës.

Fushata e kolektivizimit

Qeveria ka si qëllim kompletimin e kolektivizimit të bujqësisë deri në vitin 1958 dhe po merr të gjitha masat. Fshatarët që jetojnë në qytet po u kërkohet të kthehen në fshat për të zbatuar projektet e bujqësisë. Në përgjithësi të gjithë përpjekjet e qeverisë po fokusohen në përmirësimin e bujqësisë dhe të prodhimit bujqësor. Në zonën e Vlorës janë organizuar 4 kooperativa të cilat janë rreth 25 -30 000 dele. Drejtori i saj është Hasan Muço. Kooperativa ka gjithashtu 40 koshere bletësh, ë cilat prodhojnë rreth 200 kg mjaltë në vit.

Korrik 1957

Gjendja në Shqipëri

Në takimin e komitetit qendror të partisë në Tiranë në pranverën 1956 u bënë kritika ndaj disa anëtarëve të partisë, dhe si rezultat disa prej delegatëve u akuzuan si tradhtarë e reaksionarë. Gjeneral Hulusi Spahiu dhe Tahir Kadare u shkarkuan. Në tetor 1956 një njësi ushtarake këmbësorie e Vlorës u zhvendos dhe trupat e saj u shpërndanë në njësi të tjera në Gjirokastër, Korçë, Përmet e Shkodër. Në kazermat e Vlorës mbeten rreth 150 njerëz. Qëllimi i zhvendosjeve besohet se ishte përforcimi i kufirit grek dhe atij jugosllav. Një grup ushtarak artilerie është vendosur rreth 1000 m në jug të Vlorës. Komandanti i tij është Vasil Xhelo nga Himara. Prej fillimit të shkurtit 1957 deri në fillim të marsit, janë zhvilluar ushtrime mobilizimi të rezervistëve dhe stërvitje të lehta. Kazermat e këmbësorisë së Vlorës janë vendosur në anën lindore të rrugës drejt Portit, 500 m larg këtij të fundit dhe 1500 metra larg qendrës së qytetit. Vlora ka një seksion të degës së Brendshme, i cili drejtohet nga sigurimi Petrit Akani dhe zëvendësi i tij Skënder Paisi nga Vlora. Flota detare e Vlorës ka 2-3 barka të shpejta që patrullojnë gjirin e Vlorës dhe ishullin e Sazanit. Mbrojtja ajrore e saj përbëhet nga 4-8 gjuajtës artilerie të kalibrit 20 mm të vendosura në kodrën qytetare të Kuzbaba, ndërsa katër topa 37 mm janë të vendosur në kazermat e artilerisë së Vlorës. Pranë fushës së aviacionit ka edhe katër topa të tjerë të të njëjtës madhësi.

Arsimi

Vlora ka një gjimnaz, të cilit i është vënë emri i heroit Ali Demi. Në Poliçan ka një shkollë elementare 4-vjeçare dhe një shkollë 3-vjeçare të quajtur Unike. Nxënësit e shkollës elementare mësojnë greqisht dhe pak orë i kushtohen shqipes. Përkundrazi, në programin e shkollës Unike mësohet kryesisht shqip dhe pak orë i kushtohen greqishtes.

Besimi

Vlora ka dy kisha ortodokse dhe tre priftërinj shërbesat kishtare zhvillohen të dielave dhe ditët e festave. Kryesisht të moshuarit marrin pjesë në shërbesat e të dielave ndërsa në ditët e festave ortodokse kishat janë të mbushura me njerëz. Edhe në ditët e festave fetare komunistët vijnë në kishë për të tërhequr vëmendjen e popullit me diskutime politike. Në përgjithësi ndjenjat fetare mbeten të forta me gjithë shtypjen dhe masat komuniste. Shumë familje që zotërojnë radio, dëgjojnë shërbesat kishtare. Në Vlorë ka gjithashtu një kishë katolike dhe një prift. Pak njerëz shkojnë në këtë kishë pasi shumica e kristianëve nuk janë katolikë. Në Vlorë ka 4 xhami por vetëm 3 prej tyre përdoren si kisha, njëra është kthyer në muzeum arkeologjik. Ka dhe disa xhami të vogla por pak njerëz shkojnë në to. Spitali civil i Vlorës ndodhet në verilindje të qytetit dhe përbëhet nga pesë ndërtesa, respektivisht për trajtimin e sëmundjeve infektive, të kirurgjisë, të sëmundjeve të fëmijëve, të grave etj. spitali ka gjashtë doktorë dhe rreth 150 shtretër. Qyteti ka dhe një shtëpi lindjeje. Qytetarët e siguruar trajtohen falas në spital.

Mars 1975

Editoriali shqiptar dënon ushtrinë sovjetike

Fushata shqiptare anti-sovjetike duhet se ka arritur lartësi të reja, teksa Tirana po akuzon Moskën se po transformon ushtrinë sovjetike në një forcë “agresive, puçiste, fashiste”. Editoriali u botua në të përditshmen e partisë dhe titullohej “Ushtria sovjetike, ushtri e pushtimit dhe shtypjes së popujve”. Citimet e mëposhtme janë toni tipik i artikullit: “Ushtria sovjetike është tashmë në duart e borgjezisë dhe i shërben konsolidimit dhe dominimit të qëllimeve imperialiste. Revizionistët e kanë transformuar atë nga ushtri revolucionare siç u krijua nga Lenin e Stalini 57 vjet më parë, në një ushtri të kundër-revolucionit dhe të diktaturës së borgjezisë … ajo është bërë tashmë një ushtri agresive e pushtimit dhe e shtypjes së popujve”. Ky agresion barbar i ushtrisë sovjetike ndaj popullit çekosllovak, është demonstrimi i parë i politikës agresive, shoviniste dhe fashiste, si dhe një sinjal i nisjes së ofensivës kundër lirisë dhe pavarësisë së popujve. “Me qëllim skllavërimin e plotë të vendeve revizioniste të Evropës lindore si politikisht dhe ushtarakisht, udhëheqësit neo-caristë të Kremlinit dhe gjeneralët e tyre kanë kërkuar rritjen e manovrave ushtarake”, thuhej aty. Më tej deklarohej: “Ushtria sovjetike në heshtje po përforcon pushtimin ushtarak të Polonisë, Hungarisë, Gjermanisë Lindore, Bullgarisë dhe Mongolisë, ku ajo zotëron status të veçantë, të cilin mund të ketë vetëm një ushtri agresive pushtuese”. Tirana nuk ka nevojë për provokime të veçanta për shpërthime si këto, pasi për regjimin e Hoxhës këto gjëra lindin natyrshëm. Por shqiptarët sigurisht reagojnë ndaj çdo sinjali të rritjes së interesit sovjetik në Ballkan, veçanërisht në Jugosllavi, së cilës Hoxha kohët e fundit i ka premtuar ndihmë në sprapsjen e çdo sulmi të mundshëm sovjetik. Tani që Jugosllavia ka ngritur çështjen e dytë në gjashtë muaj ndaj vendeve satelite, Tirana mund të bëjë akuza edhe më të mprehta ndaj Kremlinit. Ndërkohë mes Beogradit e Tiranës po vazhdojnë diskutimet për ndërtimin e linjës hekurudhore, e cila do të ishte lidhja e parë e Shqipërisë me Evropën. Linja Beograd-Bari përfaqëson një ëndërr të vjetër të serbëve e malazezëve dhe po ndërtohet prej një dekade. Ajo pritet të përfundojë në 1976 por ka hasur vështirësi prej terrenit të vështirë. Zgjerimi i saj edhe kufirin shqiptar është relativisht i thjeshtë dhe shumica e problemeve janë vetëm politike, siç mund të jetë bindja e shqiptarëve ksenofobë për avantazhet ekonomike të lidhjes me botën e jashtme. Qeveria beson se kjo hapje mund ta ekspozojë vendin ndaj “influencave korruptuese” të botës së huaj. Kina, e cila kërkon të reduktojë influencën sovjetike në rajon, është e gatshme të financojë projektin, jo vetëm me ndërtimin e pjesës shqiptare të hekurudhës, por raportohet se ka ofruar një kredi 75 milionë dollarë Beogradit për të financuar dhe pjesën e tij. Kinezët mesa duket besojnë se kjo do të rrisë influencën e tyre në zonën e Adriatikut, ku ata mendojnë se sovjetikët kërkojnë vendosjen e bazave detare. Kina mund ta konsiderojë hapin si një mundësi të përmirësimit të transportit ushtarak jugosllav në zonë.

L’Intransigeant (1937): Vendimi i Mbretit Zog, që gratë shqiptare të heqin “çarçafin – ferexhen”, e bëri Tiranën të lumtur.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Nëntor 2017

 

Gazeta franceze, “L’Intransigeant”, ka botuar, të mërkurën e 31 marsit 1937, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me vendimin historik të Mbretit Zog për heqjen e “çarçafit – ferexhesë” nga gratë shqiptare.

 

Si u prit ky vendim në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë ? Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

 

Tirana, qytet i lumtur

Një vendim i Mbretit Zog i cili është mirëpritur

(Nga i dërguari ynë special)

Tiranë, 30 mars.

 

Shqiptaret e bukura, që prej katër ditësh, kanë zbuluar fytyrat e tyre. Mysliman besnik, por sundimtar modern, Mbreti Ahmet Zogu, në fakt, ka adoptuar nga Parlamenti një ligj që urdhëron gratë e mbretërisë së tij të heqin dorë nga “çarçafi – ferexheja”, një zakon i vjetër i imponuar në shekullin e XV-të nga turqit, kur ata pushtuan Shqipërinë pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut.

 

Ky vendim ka ngjallur gëzim të madh në të gjithë Shqipërinë : tek gratë, së pari, të cilat janë, si të gjitha bijat e Evës, të lumtura që admirohen, dhe tek të gjithë të rinjtë.

 

Tirana është bërë papritur një qytet i lumtur… Të qeshurat dhe rinia ndriçojnë të gjitha fytyrat… Dhe të huajt, të kënaqur, zbulojnë bukuritë që nuk dyshonin…

 

Kudo, e miratojnë vendimin e sovranit – i cili qe bërë popullor, me 1 mars 1928, duke adoptuar nga Parlamenti, barazinë e të drejtave mes gruas dhe burrit. Padyshim, që disa myslimanë të vjetër, të cilët kundërshtojnë modernizmin, protestojnë në rrugët e Tiranës, kur takohen me gra pa ferexhe, por ata janë vetëm një pakicë e vogël që nuk shqetëson asnjeri. Dhe bukuroshet shqiptare u përgjigjen atyre nëpërmjet buzëqeshjeve më të lumtura.

 

  1. Singer.

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/l-intransigeant-1937-vendimi-i-mbretit-zog-qe-grate-shqiptare-te-heqin-carcafin-ferexhen-e-beri-tiranen-te-lumtur/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.

CIA: Ja si Hrushovi më 1962 nisi goditjet ndaj Shqipërisë, përmirësoi marrëdhëniet me Beogradin dhe bëri për vete të gjitha shtetet e tjera komuniste

CIA ka dhënë të tjera detaje sa i takon marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Në një dokument të deklasifikuar së fundmi, tregohet se si Nikita Hrushov përqendroi të gjithë vëmendjen te Beogradi dhe nisi sulmet ndaj Shqipërisë më 1962. Sipas CIA, ai kërkoi që të gjitha vendet komuniste të bashkëpunojnë me Kremlinin, duke lënë jashtë Shqipërinë. Nga ana tjetër, CIA ka treguar dhe diskutimet në Parlament në vitin 1953. Aty është folur për buxhetin e ri dhe ministrat kanë shprehur qëndrimet e tyre.

Mars 1953

Diskutimet për buxhetin

Folësit për problemet e buxhetit në sesionin e tretë parlamentar përfshinin zv.kryeministrin Tuk Jakova, deputetin Mihal Prifti, kreun e parlamentit Shefqet Peçi, ministrin e Industrisë Adil Çarçani, ministrin e Ndërtimit Rrapo Dervishi. Ata raportuan si më poshtë:

Shefqet Peçi, ministër i Minierave

Buxheti i vitit 1952 paraqet investime të konsiderueshme në sektorin e minierave në një rritje me 171 për qind nga buxheti i vitit 1951. Shumica e investimeve do të jenë në pajisje dhe makineri, siç është përfundimi i rafinerisë së naftës në Cërrik, sonda dhe traktorë për minierat. Për përmirësimin e jetesës së punëtorëve të minierave do të ndërtohen shtëpi dhe institucione kulturore, salla ngrënieje, kinema, kopshte etj. Plani i vitit 1952 ka një rritje të eksplorimit të galerive të reja minerare, shpimeve të reja të naftës dhe studimeve gjeologjike për burimet nëntokësore të Shqipërisë. Si rezultat i investimeve do të ketë organizmin dhe mekanizim më të mirë të punës, sipas metodave sovjetike. Një numër më i madh inxhinierësh shqiptarë, sovjetikë dhe nga vende të tjera të demokracive të popullit do të mbikëqyrin prodhimin, teksa shumica e makinerive dhe materialeve tashmë janë siguruar. Është zgjidhur problemi i energjisë elektrike në minierën e Selenicës ndërsa problemi i Rubikut do të zgjidhet në 6-mujorin e parë të 1952. Në lidhje me mangësitë në sektorin e minierave, u evidentuan rastet e mungesës së motivimit në realizimin e planeve si nga ministria dhe nga industria e naftës. Disa drejtorë nuk kanë ndjekur kurset sistematike të prodhimit dhe kjo ka rezultuar në disiplinë të ulët të punës, si në minierën e bakrit në Rubik.

Adil Çarçan, ministër i Industrisë

Në vitin 1951 shumë ndërmarrje u paraqitën mirë në planet e prodhimit, të të ardhurave dhe shpenzimeve. Në to përfshihen uzina Enver Hoxha, e drejtuar nga Artjon Spartaku, fabrika e lëkurës në Gjirokastër e drejtuar nga Telemak Mulin, fabrika e lëkurës në Korçë e drejtuar nga Koço Nashini, fabrika e çimentos në Shkodër e drejtuar nga Vaso Marku, fabrika e drurit Misto Mame në Tiranë, fabrika e birrës dhe një numër ndërmarrjesh të tjera. Bashkimi Sovjetik ka dhënë ndihmë të madhe në 1951 për vënien në funksion të uzinave si Kombinati Tekstil Stalin, fabrika e sheqerit 8 Nëntori dhe fabrika e pambukut në Fier. Fonde të tjera sovjetike u shpenzuan në fabrikën e drurit, në fabrikën e duhanit në Shkodër. Ka pasur gjithashtu mangësi në sektorët e peshkimit, në prodhimin e sapunit, të makaronave. Gjatë vitit 1951 organizimi dhe disiplina e punës ishin të dobëta. Këto defekte së bashku me drejtimin e papërshtatshëm bënë që sektori i peshkimit të realizojë planin me vetëm 51 për qind. Gjithashtu edhe plani i prodhimit të sapunit dhe makaronave nuk u realizua. Fabrika e makaronave në Durrës plotësoi vetëm 58 për qind të planit, ashtu si dhe fabrikat e sapunit në Rrogozhinë, Shkodër e Elbasan. Si rezultat i këtyre dështimeve furnizimi me mallra konsumi nuk ka qenë i rregullt de planet për të ardhurat e buxhetit nuk u realizuan. Mangësitë erdhën is rezultat i punës së dobët dhe sipërfaqësore të ministrisë së industrisë që nuk zbatoi vendimet e qeverisë, dhe përgjegjësi kanë drejtorët e ndërmarrjeve si Vlash Kavalaci, ish-drejtor i peshkimit, Ilmi Çausholli, ish-drejtor i fabrikës së sapunit në Rrogozhinë, Muhamet Meqemeja ish-drejtor i fabrikës së sapunit Elbasan, Stavri Çifliku drejtor i fabrikës së litarëve në Rrogozhinë. Të ardhurat ishin të ulëta ndërsa shpenzimet e vitit 1952 ishin 72 për qind më të larta se në 1951.

Rrapo Dervishi, ministër i Ndërtimit

Ndërtimi në interes kombëtar ka qenë 52 për qind më i madh, ndërsa ai me interes lokal 33 për qind më i madh sesa në vitin 1951, ndërsa fabrikat e prodhimi të tullave realizuan planin me 137 për qind. Në vitin 1951 u vunë në funksion kombinati tekstil Stalin, hidrocentrali Lenin dhe fabrika e sheqerit 8 Nëntori. Ndërtime të tjera të rëndësishme ishin fabrika e pambukut në Fier, tubacioni ujor Lanabregas-Yzberisht, rruga Shënmeri-Kolgecaj, dhe drenazhimet e fushave të Kavajës. Progres është bërë në projektin e kanalit Peqin–Kavajë ku janë përftuar rreth 8000 hektarë tokë. Industritë lokale të ndërtimit gjithashtu kanë avancuar, por jo me ritmet e kërkuara. Nga shtatë ndërmarrjet lokale të ndërtimit, gjashtë e kanë tejkaluar planin, ndërsa të gjitha kanë reduktuar kostot me 7 për qind. Industritë lokale të ndërtimit duhet të përforcohen në ekzekutimin e projekteve kombëtare, duke ndihmuar që ndërmarrjet kombëtare të fokusohen në objektivat e mëdha industriale si ato të transportit dhe përfitimit të tokave bujqësore. Falë ndihmës sovjetike, masa e punës së ndërtimit për vitin 1951 ishte 20 për qind më e madhe se në vitin 1950, dhe të ardhurat ishin 23 për qind më të mëdha. Ministria e Ndërtimit nuk duhet të kënaqet vetëm me suksesin e hidrocentralit Lenin, dhe nuk duhet të fshehë dështimet në projekte si rruga Lumbardh-Tuç apo projektet e strehimit në Tiranë. Analizat e punës në çdo sektor tregojnë mangësi të konsiderueshme. Dy nga gjashtë ndërmarrjet nuk arritën të realizojnë planin e vitit 1951. Megjithëse dy ndërmarrjet Muhamet Gjollesha dhe Perlat Rexhepi kanë marrë më pak ndihmë se të tjerat nga ministria, drejtorët e tyre Ajet Rusi dhe Foti Papanastasi kanë përgjegjësi për mangësinë në zbatimin e planit.

Deputete Roza Hila

Punonjësit e industrisë plotësuan planin e janarit 1952 me 123 për qind. Duke përdorur metodën Levçhenko-Mukanov punonjësit e një prej ndërmarrjeve reduktuan kostot dhe përmirësuan cilësinë e prodhimit. Përdorimi i plotë të kësaj metode mund t’u kursejë shtetit rreth 1 milion lekë, që mund të përdoren për ndërtimin e një çerdheje për fëmijët e punëtorëve.

Korrik 1962

Afrimi jugosllavo-sovjetik

Që prej takimit të partive komuniste në Bukuresht në verën e 1961, jugosllavët e dalluan konfliktin e sovjetikëve me Kinën e Shqipërinë dhe punuan për ta shfrytëzuar për përmirësimin e lidhjeve me BRSS. Ata e shfaqën hapur mbështetjen për Hrushovit, kundër atyre që quanin “dogmatistë”. Dënimi i ashpër i Hrushovit ndaj Shqiptarëve dhe dogmatistëve të tjerë në kongresin e 12 të Partisë Komuniste Sovjetike në tetor 1961, i dha më tepër inkurajim jugosllavëve, ndërsa afrimi mes tyre dhe Moskës po vazhdon me hapa gradualë. Kontaktet mes tyre u rritën këtë pranverë. Në prill Gromiko ia ktheu vizitën e një viti më parë të Popoviç, ndërsa në maj Hrushovi e shfrytëzoi turneun e tij në Bullgari për të shprehur vlerësime të ngrohta ndaj Jugosllavisë, për të cilën tha se ishte pjesë e përpjekjeve të të gjitha vendeve në ndërtimin e socializmit dhe komunizmit. Hrushovi gjithashtu nxiti vende të tjera hezituese që të bëjnë hapje ndaj Beogradit, çka u mbështet nga lideri bullgar Todor Zhivkon, i cili i quajti komunistët jugosllavë ideologjikisht të pranueshëm. Ndoshta me afrimin e tyre sovjetikët kërkojnë të shtojnë presionin ndaj Shqipërisë dhe nxitjen e rrymave të brendshme disidente atje, si dhe të nxisin simpatinë e vendeve të vogla ndaj Bashkimit Sovjetik, sidomos ndaj atyre ku Jugosllavia ka influencë. Për bllokun komunist si i tërë, përmirësimi i lidhjeve me Jugosllavinë thekson ndarjet brenda lëvizjes komuniste që kanë shkaktuar përkeqësimin e lidhjeve me Kinën e Shqipërinë, dhe aleatet e tyre, të cilët i konsiderojnë jugosllavët si devijacionistë. Çdo afrim i mëtejshëm me Beogradin do të bëjë edhe më të vështirë unifikimin e bllokut nën udhëheqjen sovjetike. Ne besojmë se ne muajt në vijim Beogradi do të ngushtojë lidhjet me Moskën dhe disa nga vendet satelite, veçanërisht në fushën ekonomike e kulturore. Mundësitë më të mëdha janë ato në fushën ekonomike ku ofertat sovjetike do të mirëpriten nga jugosllavët. Propaganda kritike reciproke do të zbutet.

Dokument: Masakra komuniste e nëntorit 1944 në Tiranë u urdhërua nga Enver Hoxha dhe jugosllavi Vojo Todoroviçi

NGA KASTRIOT DERVISHI

 

 

Në tetor-1944 në qytetin e Tiranës komunistët shkaktuan një terror të madh në radhët e kundërshtarëve të tyre. Pikërisht në zonat e braktisura, njësitë luftarake komuniste kryen edhe masakrat mbi shtresën elitare shqiptare, kryesisht ushtarakë, profesorë, tregtarë, etj.

Grupet e caktuara shkon në shtëpi të viktimave të ardhshme, i nxirrnin gjoja për një sqarim dhe i vrisnin pak metra larg shtëpive. Ndërsa disa të tjerë, u grumbulluan në hotel “Bristol”, ku u pushkatuan të gjithë.

gjeneral hoxha enver

Kjo ishte dhe shenja e parë e “çlirimit” dhe ngjyra më e bukur e ditës së “lirisë”. Konkretisht, me urdhër të Enver Hoxhës dhe instruksionin e majorit jugosllav Vojo Todoroviç, krimet në Tiranë i kreu një batalion disipline i kryesuar nga Kristo Themelko.

Vetë ky i fundit, në mbledhjen e plenumit të 2-të të PKSH-së në Berat, deklaronte:

“Për sa i përket terrorizmit, për veten time nga jeta e keqe që kishim kaluar gjatë dimrit, krijova bindjen se të gjithë elementët kundra nesh duheshin zhdukur që tani. Këtë bindje ma forcoi edhe një gjë që ndodhi pranë Shtabit të Përgjithshëm, kur pashë që të pushkatohej një njeri po në këtë mënyrë.

Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka këshilluar se, kur të hynim nëpër qytete, do t’i spastronim elementët e rrezikshëm, prandaj kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata (e PKSH-së shënim) për këta elementë. Më vonë nuk na është sqaruar asgjë e re lidhur me këtë gjë”.

Në shtator 1944 Enver Hoxha ka qenë në marrëveshje me forcat gjermane për një dorëzim të qetë të pushtetit. Ibrahim Biçaçkiu ka pranuar të jetë kryeministër në shtator 1944 me dëshirën se do të bënte kalimin e butë të pushtetit te komunistët, natyrisht i nxitur nga kushëriri i parë Esat Dishnica, shok i ngushtë i Enver Hoxhës. Biçakçiu është bërë ndërmjetës midis gjermanëve në ikje dhe komunistëve në ardhje.

Veç Ibrahim Biçakçiu, marrëveshja u nënshkrua nga Omer Nishani, Shefqet Beja, Esat Dishnica. Marrëveshja që mban datën më 17 shtator 1944 përbëhej nga 7 pika. Në thelb, komunistët garantonin se nuk do të godisnin forcat gjermane gjatë largimit të tyre dhe Ibrahim Biçakçiu ua dorëzonte pushtetin komunistëve. Gjermanët nuk do të merrnin asgjë me vete, përveç mjeteve të zakonshme e jetike. Largimi nga Tirana i gjermanëve do të bëhej më 20-21 tetor 1944.

Mirëpo kjo marrëveshje ra në duar të britanikëve e më pas të amerikanëve. Britanikët njoftuan Enver Hoxhën se qeveria e tij nuk do të njihej, nëse gjermanët nuk luftoheshin deri në fund.

Të prekur nga moszbatimi i marrëveshjes, gjermanët në Tiranë deshën të implikonin qeverinë dhe Këshillin e Naltë duke i detyruar të vinin në Gjermani. Mirëpo, këto institucione dhanë dorëheqjen më 25 tetor 1944 duke deklaruar se ishin persona privatë e nuk mund të iknin me gjermanët në Gjermani.

Hoxha nuk iu përmbajt marrëveshjes, por Hoxha “urdhëroi” më 30 tetor 1944 “çlirimin” e Tiranës pikërisht pas datës së marrëveshjes, në kohën kur gjermanët po largoheshin.
Me anën operacionale do të merrej majori jugosllav Vojo Todoroviçi. Emri i tij gjendet në telegramin e datës në fjalë, porse në botimet e vitit 1966 me dokumente të shtabit, dy rreshtat janë hequr nga origjinali.

Terrorin e urdhëroi Enver Hoxha dhe Vojo Todoroviçi

Në librin e tij “Titistët”, Enver Hoxha shkruan se ka qenë Sejfulla Malëshova që ka kundërshtuar masakrën e Tiranës. ja një pjesë e debatit të tyre:
-Po bëhet shumë terror! – më thotë gjithë zemërim.
-Terror? – pyeta i habitur. – Ku?
-Në Tiranë! – përgjigjet. – po vriten shumë oficerë të penduar.
-Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit, – i thashë. Luftë për jetë a vdekje. Kë quan terror ti? Dhe për cilët oficerë ankohesh? Tani lufta po mbaron i thashë. Kur u bëmë thirrje të hidheshin në male e të luftonin bashkë me ne pushtuesit, s’lëvizën nga qoshet e ngrohta. Tani janë “penduar” tepër vonë dhe me kriminelët ne i kemi larë hesapet.
-A ja ky është sektarizmi – u hodh sektarizmi. Ka humbur zemra e vërtetë e komunistit, e atij që i dhimbset jeta e tjetrit, që mendon shumë para se të vendosë që të zhduket një njeri i cili mund të ndreqet e t’i shërbejë vendit!

Mirëpo, po Enver Hoxha në mbledhjen e plenumit të Beratit në 23 nëntor 1944, fjalët e Sejfullait i ka marrë përvetësuar sepse në fjalën kryesore ka deklaruar:
“Po vriten në Tiranë me duzina njerëz e oficerë të dorës së dytë, të cilët, duke pasur besim të plotë në drejtësinë tonë e në shpalljen, dorëzohen. Një punë e tillë s’është okazoniale, por është i tëri toni që i është dhënë punës organizative të partisë, ushtrisë. Jo vetëm te ushtari i thjeshtë, por edhe te anëtari i partisë, ka humbur zemra e vërtetë e komunistit, e atij njeriu që i dhimbset jeta e tjetrit, që mendon më shumë për të zhdukur një njeri që mund të ndreqet dhe mund t’i shërbejë vendit. Jo, shokët e kanë humbur këtë gjë e në radhë të parë, udhëheqësit e përmbi ta, anëtarët e Komitetit Qendror. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit, të zhdukin anëtarët e partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”.

Mehmeti letër Enverit: Nesër në Mirditë do të arrestoj 147 burra, 17 janë për pushkatim

Dashnor Kaloçi

Plot 66 vjet më parë, më 7 gusht të vitit 1949, në vendin e quajtur Qafa e Valmirit në rrethin e Mirditës, mbeti i vrarë në një pritë deputeti i zonës, Bardhok Biba, i cili mbante, gjithashtu, edhe funksionin e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së atij rrethi, si dhe gradën e kapitenit të Sigurimit të Shtetit në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nisur nga detyrat, postet e funksionet e larta partiake e shtetërore që mbante Bardhok Biba asokohe, të kaluarën e tij si partizan e komunist, ndër të paktit që kishte ajo krahinë ku ende ishte i fortë ndikimi i derës së Gjonmarkajve, Kapidanëve të Oroshit, ajo ngjarje bëri bujë të madhe dhe revoltoi pa masë udhëheqjen e lartë komuniste të Tiranës. Gjë e cila bëri që ata të ndërmerrnin një operacion ushtarak spastrimi në shkallë të gjerë në krahinën e Mirditës dhe zonat përreth, ku në krye të saj u vu vetë ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-major Mehmet Shehu. Kjo gjë, përveç historiografisë zyrtare të regjimit komunist të para viteve ’90-të si dhe mjeteve të propagandës së asaj kohe, bëhet e ditur edhe nga një dokument arkivor që publikohet për herë të parë në këtë shkrim të “Gazeta Shqiptare”, ku Mehmet Shehu, nëpërmjet drejtorit Politik të Ushtrisë, nënkolonel Beqir Ndout, i bën me dije Enver Hoxhës, lidhur me veprimet e operacionit ndëshkimor që ai kishte planifikuar të ndërmarrë në Mirditë. Dhe ashtu siç ka shkruar me dorën e tij në një copë letër dërguar “Komandantit”, Mehmet Shehu e bëri gjithçka realitet, duke ekzekutuar plot 14 burra nga krahina e Mirditës, pikërisht në vendin ku ishte vrarë Bardhok Biba, si dhe duke burgosur e internuar me dhjetëra e qindra persona e familje mirditore. Duke shënuar kështu një nga masakrat më të mëdha të pasluftës, për sa i përket numrit të personave të ekzekutuar për një ngjarje të caktuar, gjë të cilën me dhjetëra familje mirditore do ta vuanin gjatë. Nisur nga fakti se për këtë ngjarje, që nga ajo kohë dhe më pas deri në fundin e viteve ’80-të, është folur e shkruar shumë nga historiografia dhe propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës, në këtë shkrim po publikojmë “anën tjetër të medaljes”, duke e parë atë nga këndvështrimi i Nikoll Mëlyshit, një nga krerët e Lëvizjes dhe Rezistencës Antikomuniste në Mirditë, nga familja dhe fisi, i të cilit pati disa të ekzekutuar, burgosur dhe internuar për ngjarjen e vrasjes së Bardhok Bibës. Kapiten Nikoll Mëlyshi, babai i Pal Mëlyshit, (Hero i Popullit) i cili është personazhi real në filmin “Operacioni zjarri”, (Gjin Martini, babai i Kreshnik Martinit që interpretohet nga aktori i ndjerë Sheri Mita), e ka shkruar këtë ngjarje në një nga kapitujt e librit të tij “Ngjarje të ndime, të pame dhe të jetueme”, të botuar në vitin 1976 në Detroit të SHBA ku ai jetonte si azilant politik. Ngjarjen në fjalë po e publikojmë në versionin origjinal (ashtu siç është shkruar me dialektin e tij të gegërishtes dhe të folurën e Mirditës së asaj kohe) dhe me disa shkurtime, pasi libri i Nikoll Mëlyshit, është ribotuar edhe në Shqipëri në vitin 2005, nga i biri i tij, Lekë Mëlyshi.


Kujtimet e Nikoll Mëlyshit të botuara në 1976-ën SHBA
BARDHOK BIBA NE MIRDITE
Bardhok Biba, qi rrjedh prej një fisi të Kapidanave të Mirditës, patë vazhdue shkollën e mesme në gjimnazin e Shkodrës, por mbas dy vjetësh e patën përjashtue për sjellje të këqia. Ma vonë, me ndërmjetësinë e Kapidan Gjon Marka Gjonit, kje pranue në Shkollën Teknike të Tiranës, ku më aty u filtrue pak në doktrinën komuniste.
Ky edhe këtë shkollë e la përgjys pa krye, dhe filloj tuj shetit der më derë nëpër popull, kundër vullnetit të babës dhe vëllaut të madh të tij, tue folun nëpër popullin e Mirditës fjalë të bukura komuniste mbi përmirësimin e jetës së popullit. Populli i Mirditës, megjithqë i pashkollë e kishte kuptue se Bardhoku ishte tuj ba propagandë komuniste, por mbasi ishte prej fisit të Kapedanave dhe vetëm ai ishte në krejt bajrakët e Mirditës, e nuk kishte tjetër n’atë kohë dhe se ai djal i ri nuk mund të bahet i rrezikshëm në t’ardhmen, e bante edhe me gjederë.
Kur Bardhoku u ba 28 vjeç, u takua me komunistat e Tiranës dhe u ba komunist i betue. Në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia, qarkullonte prapë nëpër katunde Mirdit e Kthellë, tuj u përpjek me shtij helmin komunist në popull, por prap nuk ja vënte kush rëndësinë dhe s’kishte mujt me ba kërkënd me veti, e bile populli i atyne krahinave filloj tuj e përbuz dhe ja nepshin nji grim buk si qenit. Shpesh herë e kan pasë në dor autoritetet e vendit me e kap e me e zhduk nga jeta, por prap e kan lanë se është i fisit të Kapedanit. Kështu Bardhoku përfitoj prej rasteve dhe kur komunizmi i ardhun nga Shqipnria e Jugut, Bardhoku i doli përpara Mehmet Shehut në Lurë dhe Mehmet Shehu, me formë propagandë, për t’i mbushë mëndjen popullit, i qetë përapara një toge partizanësh dhe e pret me për nder armët, tue i thanë popullit se ky asht i kushërini i Kapëdanit të Mirditës, dhe kur hyni komunizmi në Mirditë, Bardhoku u paraqit si ma i madhi i asaj krahine.
Bardhoku ka pas disa cilësina të veçanta; në popull gjithmonë paraqitej gjakftohtë, tregohej shumë i urtë, i ambël në bisedim, shumë i sgjutë, njeri miklues sa qi me ta pi gjakun me pambuk; punët i bante të mbulueme, tue hjedh gurin dhe tue mësheh dorën, me qëllim që fajet t’ua ngarkonte komunistave jugorë të Mirditës.
Bardhoku kryesonte nënprefekturën e Shën Palit të Mirditës dhe kishte fuqi ushtarake të shumta në dispozicion, të cilat ia kishte dhanë me letër të bardhë Mehmet Shehu për ekzekutimin e urdhnave të tij. Me dhelpni e kopili i rrente disa të rinj e prej tyre përfitonte për çështje zbulimi, mbi lëvizjet e kundërshtarëve të vëndit. Parashifej se ai do të shtinte në dorë rininë e Mirditës dhe Kthellës. Një pjesë e popullit nuk i kuptonte ende të zëzat e Bardhok Bibës, e mendojshin se asht ashtu siç tregohej para tyne dhe se gjoja ai po i pshtonte disa njerëz nga litari prej rrezikut të vdekjes, sepse ashtu ishte metoda komuniste që zhvillonte ky tip në popull. Masa e populli, sidomos rinija, nuk kishte mbërritë ende me e kuptue se ai ishte xhelati që u kishte pij gjakun e sa qindra bashkëvllazënve të vet në rajonin e Mirditës e të Kthellës, tue pushkatue njerëz të pa procese dhe pa gjyqe, burgime, rrahje shtazore, internime, grabitje dhe zhdukjen e moralit malësuer, tue mobilizue vajza dhe gra të reja nëpër brigade punet. E komunistat për të zhdukë doket dhe zakonet e vëndit, i dërgojshin të rejat katundare të zeza me ba këngë dhe valle në çdo orë pushimi dhe për ma keq dhe zi, komisari i puntoris, caktonte një burrë dhe një grue si në punë ashtu dhe në banesë…?! E sa të tjera këso lloj punësh të zezash. Në të tilla raste, Bardhok Biba dërgonte dhe gruen e vet, Mrikën, për me u duk para popullit i sinqertë. Të gjitha këto mënyrë të shkatërrimit moral, zbatoheshin me urdhër e firmë të Bardhok Bibës. Bardhoku vazhdonte me metodat e veta; gjithmonë masakrimet në popull me urdhër të kapasapëve të kuq të Tiranës, sepse populli i krahinave tona ishte konsiderue prej Hoxhësh dhe Shehut, një popull fajtor?! Dhe si të tillë të pabindun, e kishin dënue gjithë popullin mbarë. N’ë anë tjetër, Bardhok Bibës, kur i paraqitej rasti bante edhe hakmarrjet e veta personale dhe nuk mundi me ja korigjue kush. Kështu që i shpërvoli krahët dhe i zhyti në gjakun e pastër të vllazëneve të vet të pafajshëm, për me fitue mirbesimin prej Partis dhe për të qenë anëtar i Komitetit Qëndror të kryekasapëve të Tiranës, e me sigurue pozitat e veta si kryetar i Komitetit të Partisë Komuniste në Mirditë e Kthellë, deputet i krahinës dhe me gradën Kapiten i Sigurimit në Mirditë.
Megjithse në një situatë të vështirë, Ndue Pjetër Gjonmarkaj dhe Ndue Mëlyshi, bashkë me shokët e tyne, me shumë vuejtje dhe sakrifica, mundën me ba një mbledhje për të gjithë luftëtarët e malit të Mirditës, të Kthellës dhe të Lezhës më datën 1 korrik 1949 në Shqopën e Munellës-Mirditë. Në këtë mbledhje muerën pjesë si kryetar çetash; Ndue Bajraktari, Mark Dod Lleshaj, (Gjini), Marka Jak Bajraktari, Ded Kolziu, Llesh Marka Tuci, dhe Gjok Dod Përbrunga. Muerën pjesë dhe 60 luftëtarë dhe kaluan bashkë pa u nda për dy ditë. U muerën vesh mirë për gjëndjen e kritikëshme dhe humbjen e luftëtarëve në luftën e përditëshme. Si do që kje, vendosën; ripërtëritjen e Nënkomitetit Krahinor të Mirditës, që ishte formue prej Dr. Mark Gjon Markajt në mars 1945 dhe mbas humbjes së Markut më 14 qershor 1946, të vazhduem prej Llesh Gjomarkut me 10 gusht 1946, mbas humbjes së Lleshit më 9 gusht 1947, prej kryetarëve të çetave në tetor 1948, në Kodrën e Rrëshenit të Kthellës, tue i zëvëndësue me; Ndue Bajraktarin, Frrok Mëlyshin, Marka Jak Bajraktarin, Marka Dod Lleshin, Preng Dod Gjinin. Në një mbledhje tjetër me 1 korrik 1949, u ba riformimi kështu: Ndue Pjetër Gjomarkaj si kryetar, Ndue Bajraktari si nënkryetar, Ndue Mëlyshi, Marka Dod Lleshaj, dhe Marka Jak Bajraktari, anëtar të shtrenjtë (të ngushtë). Luftërarët e tjerë, anëtarë të gjanë. Mbas përfundimit të këtij riformimi, mbledhja vendosi edhe njëherë dënimin dhe ekzekutimin e Bardhok Bibës, për të hjek qafe këtë njeri kaq të rrezikshëm të Mirditës.
U caktue një mbledhje e dytë për datën 7 Gusht 1949 dhe me kaq u shpërndanë çetat nëpër drejtime të ndryshme. Ndue Pjetër Gjonmarkaj muer pjesë në grupin e Ndue Bajraktarit dhe Ndue Mëlyshi në grupin e Preng Dod Gjinit.


LIDHJA KOMBETARE E
MALEVE DHE VRASJA
E BARDHOK BIBES
Në natën 6 gusht 1949 u mblodhën bashkë 53 luftatarë, në pikën e caktueme, Shqopa e Munegjës Mirditë. Më datën 7 Gusht 1949, në orët e mëngjezit, Nënkomiteti Krahinuer i Mirditës, merrë një lajm: qi Bardhok Biba atë ditë do të kalonte prej katundit Simon për në Shën Pal të Mirditës! Informta e lajmëtarit kje e ekzakte: Bardhoku kishte qenë me mbajtë një konferencë në Kaçinar, prej andej udhtonte me 30 polic roje për në Simon, Peshqesh, Shën Palë.
Nënkomiteti i Mirditës, që ndodhi në Shqopën e Munegjës, menjëherë mori një vendim dhe pa humb kohë dërgoi organin e shpagimit me i vue pritat në prruen e Valmirit. Organi i shpagimit zbatoi urdhënin: vrau Bardhok Bibën dhe pranë kufomës së tij la letër-vendimin me firmën Kryetarit të Nënkomitetit Krahinuer të Mirditës. Bardhoku u vra në orën 2 mbas dreke të datës 7 Gusht 1949 dhe ky grup, 53 vetësh, mbasi bani këtë aksion, niset fill për Jugosllavi. Më datën 7 Gusht 1949, kalojnë kufinin dhe pa dam hyjnë në Jugosllavi. Bashkë me Bardhokun u plagosën edhe dy polic vendas që mobilizojshin popullin si punëtorë për me i dërgue në punë të detyrueshme.
OPERACJONI NE MIRDITE
PER HAKMARRJEN
E BARDHOK BIBES
Qeverija komuniste e Tiranës tue marr si shkak hakmarrjen e Bardhok Bibës (por jo pse iu dhimbtë aq tepër ose patë nevojë për Bardhok Bibën, pse ma vonë ndoshta do ta vriste ajo vetë, si shumë gjerarkë të tjerë të mëparshëm), kështu që dërgoi reparte të forta ushtarake nga Tirana, për të ba një operacjon në stil të gjanë në Mirditë. Vetëm e vetëm për të ba hata n’ë atë popull kreshnik të Gjergj Kastriotit (HERO). Në këtë operacjon ka marrë pjesë Divizjoni i parë që ishte me qëndër (fushimi) në Qafë Shtambë e qi komandohej prej kolonel, Hito Çakos nga Vlora, si dhe Brigada Specjale, qi ishte në Mirditë për ndjekjen e Luftëtarëve të Lirisë, e komandohej prej Majorit, Luftar Bolena nga Vlora.
Operacjoni drejtohej kryesisht prej vetë kasapit të kuq, Mehmet Shehut, bashkë me nënministrin e Brendshëm, Kolonel Kadri Hazbiu, me detyrë nënkomandant operacjoni. Në operacjon kanë marrë pjesë si vëzhguesa dy kolonela rusë; Sovoloski dhe Voleskini (me gjak shqiptari s’i ngini).
Ngjarjet e zeza të zhvillueme në atë operacjon janë këto: kanë arrestue në masën e popullit të Mirditës e të Kthellës, ma tepër se 500 burra, kanë internue, gra e fëmijë nëpër kampet e internimit në Tepelënë dhe në Lushnje, ma tepër se 300 shtëpi familje. 400 burra i kanë nisë nëpër burgje terror të Shkodrës, 100 të tjerë janë dënue randë, me burgime të gjata.
Më datën 18 Gusht 1949 janë ekzekutue në vëndin ku asht vra Bardhok Biba, pa i gjykue aspak, këta persona të pafajshëm: janë 14 fatosa nga më të mirët e kësaj krahine: Llesh Mëlyshi, Nikoll Bardhok Bajraktari, Bardhok Dod Lleshaj, Gjergj Keq Belshi, Dodë Marka Biba, nga Kthella: Ded Preng Gjomarkaj, Nikoll Llesh Nikolli, Preng Shkurti, Gjin Kaçi, Ndoc Gjet Palaj, Frrok Mata, Marka Ndrec Marku, Ded Paloka, Zef Vila nga Mirdita.
Prej këtyne 14 personave, 4 janë vjerr në konop në vëndin ku është vra bardhok Biba dhe po në atë vënd 10 të tjerë janë pushkatue të lidhun me konop, nga dora gjaksore e ……..i cili i mori leje Mehmet Shehut për t’iu dhanë vëllazënvet të krahinës së vet, nga një plumb ballit….?!
Fatosat e vramun e të pushkatuem, qi i ndua Mehmet Shehu nga gjini i familjes së tyne, të gjithë grumbull i hodhën në një gropë, ende ishin ma se gjysa gjallë, e pa u dalë shpirti dhe… pastaj janë mbule me dhe.


Në ekzekutimin e këtyne 14 fatosave kanë mbledh popullin burra dhe gra, Mirditas e Kthellas ma tepër se 2000 vetë, dhe Mehmet Shehu ka mbajtë një fjalim dhe asht betue në “Vorrin e Bardhok Bibës”, se pa i mbushun 101 të pushkatuem në Mirditë për (gjoja) hakmarrjen e Bardhokut, nuk kam me e lëshue Mirditën dhe Kthellën, dhe as që nuk e laj të lirë nga operacjoni. Ndoshta fati i atij populli të pafajshëm kreshnik, luejti një rol të jashtëzakonshëm, për me pshtue gjithë ai popull pa u pushkatue, sepse pikërisht më datën 18 Gusht 1949, ushtrije greke bani provokime në kufinin Greko-Shqiptar, me rastin qi ajo shkuli nga pozicjonet e malit Gramoz, komunistat e vet Grekë të cilët hikën nga ushtrija greke dhe hynë për të shpëtuar kokën në Shqipni, në zonën e Bilishtit. Kështu ushtrija greke dashti me i ndjek komunistat e vet disa km. nëpër tokën shqiptare, por organizatorët e misjonit amerikan nuk e lejuen. Megjithatë alarmi u ba dhe Tirana u friksue dhe kërkoj me urgjencë Mehmet Shehin me Divizjonin e Parë që ishte në Mirditë, që të paraqitet në Tiranë dhe prej aty u nis për me shkue në kufinin e Grekut. Kështu qi në Mirditë mbetën vetëm Brigadat specjale që ishin ma përpara për ndjekjen e luftarëve të malit.
(vijon nesër)

Ligji i Luftës Greqi – Shqipëri – Itali i vitit 1940 – Nga Isuf B.BAJRAMI

 

Ligji i Luftës që Greqia i shpalli Shqipërisë dhe Italisë, i cili ende nuk është shfuqizuar vazhdon t’i ruajë efektet e tij mbi ndëshkimin ndaj shqiptarëve. I vetmi shkak për të cilën është penalizuar Shqipëria  në këtë sanksion të gjendjes së jashtëzakonshme është fakti që nëpërmjet territorit Shtetit shqiptar marshuan në vitin ‘40 ushtarët fashistë – italianë për të pushtuar Greqinë!

Në këtë ligj përshkruhen me hollësi sasia e pronave dhe pasurive, që bllokohen si efekt dëmshpërblimi. Ndërkohë nëpërmjet neneve të tij, pasqyrohet rruga gati e pamundur për t’i rikthye ato prona me komisione shtetërore, që do të duhet të mblidhen për secilën prej tyre, me praninë e ministrave dhe ekspertëve të zyrave të shumta, të cilët është krejt e pamundur për t’i ulur në një tavolinë.

Në këtë akt ligjor të Athinës ka sanksione edhe për pronat apo pasuritë italiane, që sipas Traktatit të Paqes së Parisit në 1946, u sekuestruan përfundimisht dhe kaluan në dorë të palës greke, si pjesë e dëmshpërblimeve që italianët si vend sulmues duhet t’ia paguanin Greqisë.

Çështja e pronave të bllokuara të shqiptarëve vazhdon të mbetet një proces i ngrirë si vetë procedura me këtë Ligj. Për më tepër që ky Ligj është bazamenti juridik edhe i disa ligjeve dhe akteve të tjera juridike e normative që ka marrë Athina për çështjen e pronave të shtetëzuara dhunshëm të shqiptarëve që në fillimin e viteve ‘40.

Kjo procedurë që është ripërsëritur kohë pas kohe, madje deri në vitin 2006 ka pasur si synim bllokimin e kësaj pasurie që arrin në miliarda dollarë.

 

GAZETA QEVERITARE E MBRETËRISË SË GREQISË

Athinë, më 10 nëntor 1940

Pjesa e Parë
Numër botimi 379

Përmbajtja

Ligje detyruese

Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurive armike.

Rreth ndryshimeve dhe plotësimeve të dispozitave të organizimit sigurues të rreziqeve të luftës dhe ligjeve detyruese.

Dekret

Rreth përcaktimit të shteteve armike sipas kuptimit të ligjit detyrues nr. 1636/1940 të Italisë dhe     Shqipërisë dhe zbatimit në lidhje me këto shtete, të dispozitave të këtyre ligjeve.

 

LIGJE DETYRUESE – RAPORT MOTIVUES

Rreth planit të ligjit Detyrues, “rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurive armike”.

Drejtuar Lartmadhërisë së tij, mbretit

Lartmadhëri

Rëndësi që kanë të gjitha burimet ekonomike të shtetasve të palëve ndërluftuese, gjatë zhvillimit të luftës bashkëkohore, u duk nga lufta e fundit botërore, ku të gjitha shtetet ndërluftuese dekretuan ligje me të cilat bëhet e pamundur shfrytëzimi i burimeve të shtetasve të armikut, të prejardhura nga pasuri që ndodhen në territorin kombëtar dhe ndalohet çdo lloj akti juridik në favor të shteteve armike ose të shtetasve të tyre. Kjo masë u mor edhe gjatë luftës së tanishme, pavarësisht nga shtetet që morën pjesë në të. Me paraqitjen e këtij plani “Për ligjin detyrues”, dekretohet një gjë e tillë edhe për ne. Dispozita e planit në një pjesë të madhe janë përsëritje e ligjit 1073 të vitit 1917, por të plotësuara me rrjedhimet që kanë ardhur si rezultat i zbatimit të këtij ligji, me qëllim që të përjashtohet çdo veprimtari ekonomike direkte ose indirekte e shtetasve armike në shtetin tonë gjatë kohës së luftës. Gjatë hartimit të këtij plani u morën gjithashtu parasysh edhe ligjet që miratuan palët e tjera ndërluftuese. Dispozitat e ligjit bëhen dispozita definitive dhe çdonjëra prej tyre vihet në zbatim me dekretet mbretërore të botuara mbi bazën e propozimit të kryetarit të qeverisë dhe të ministrit të Financave. Plani i paraqitur synon në realizimin e qëllimeve të lartpërmendura, prandaj lutemi të keni mirësinë që ai të gëzojë miratimin tuaj.

Athinë, më 08 nëntor, 1940

Shtetas të devotshëm të Lartmadhërisë Suaj
Ministrat
i Drejtësisë
i Financave
Ajis Tabakopullos
Andhr. Apostolidhis

Ligji i Forcës Nr. 2636 1940

“Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike”
Jeorjios B’

Mbret i Grekëve

Mbi bazën e propozimit të Këshillit tonë të Ministrave, vendosëm dhe urdhërojmë:

Kapitulli A’

Neni 1
Armiq

Armiq sipas kuptimit të këtij neni, konsiderohen:

  1. Shtetet, kryetarët e këtyre shteteve dhe personat juridike të juridiksionit shtetëror të tyre, të cilat përcaktohen secili në veçanti si armik nëpërmjet Dekreteve Mbretërore të botuara me propozim të Kryetarit të Qeverisë, të Ministrit të Punëve të Jashtme, Ministrit të Financave, sipas kuptimit të këtij Ligji.
  2. Persona fizikë, të cilat kanë shtetësinë e shteteve armike, sipas rastit a), ose ata që kanë banesë, ose banim të përhershëm në to.
  3. Personat juridikë të juridiksionit privat dhe çdo bashkim personash, ose pasurish, përderisa kanë qendrën drejtuese të tyre në shtetet armike, sipas rastit, ose janë nën influencën ligjore, ose ekonomike të armiqve, sipas këtij neni.
  4. Nuk janë armiq, sipas kuptimit të këtij ligji, personat fizikë, të cilat kanë fituar nënshtetësinë e shtetit armik, por janë mekombësi greke dhe banojnë në shtete të huaja, ose shtet aleat.
  5. Në rast se ekzistojnë dyshime në lidhje me karakterizimin siarmik të cilitdo personi ose bashkimi, sipas paragrafit 1, vendoset pas mendimit të komitetit, sipas nenit 19, të Ministrave të Financave dhe të Ekonomisë Kombëtare, me vendim të përbashkët të tyre.

 

Neni 2
Ndalimi i shkëmbimeve

  1. Ndalohet dhe është i pavlefshëm çdo shkëmbim tregtar dhe çdo marrëveshje midis personave, pavarësisht nga shtetësia, që banojnë në Greqi, dhe armiqve, si dhe çdo akt iadministratës, ose akt i njëanshëm i personave që banojnë në Greqi, përderisa për të nëpërmjet saj, fitojnë të drejta, ose përfitojnë armiqtë.
  2. Aktet që lidhen një gjashtëmujor para vënies në zbatim të këtij ligji, mund të shpallen të pavlefshme merrugë gjyqësore, pas padisë së ushtruar, nga shteti, pas mendimit të komitetit sipas numrit 19.

 

Neni 3
Ndalimi i kryerjes së veprimeve ligjore

Përmbushja në Greqi e çdo veprimi ligjor dhe përmbushja e çdo detyrimi kundrejt armiqve, për cilindo arsye, ose përderisa nga përmbushja e tyre përfitojnë armiqtë bëhet me gjobë pavlefshmërie kundrejt administratorit, sipas nenit 12, dhe në qoftë se ai nuk ekziston në Arkën e Depozitimeve dhe Huave dhe ndalohet kryerja me cilindo mënyrë direkte të huadhënësit e armiqve.

Neni 4
Persona të familjes

Ndalimet në nenet 2 dhe 3 kanë fuqi edhe për personat e familjes.

 

Neni 5
Përjashtime

Me vendim të Ministrit të Financave dhe pas mendimit të Komitetit, sipas nenit 19, për raste të veçanta, mund të bëhen përjashtime nga dispozitat e neneve 2, 3 dhe 4, përderisa një gjë të tillë e imponojnë arsye të veçanta dhe vetë nevoja e mbajtjes se personave dhe familjeve, sipas nenit 1, b.

 

Kapitulli B’
Pasuritë armike

Neni 6
Sekuestrimi

Pasuritë armike në Greqi me hyrjen në fuqi të këtij ligji ndalohen dhe është i pavlefshëm disponimi i këtyre pasurive tek armiqtë, ose në shkelje të dispozitave të këtij ligji.

Neni 7
Pasuri armike në Greqi

Si pasuri armike në Greqi konsiderohen elementet pasurore të mëposhtme, përderisa u takojnë ligjërisht ose ekonomikisht armiqve, sipas kuptimit të nenit 1:Elemente të patundshme dhe të tundshme të ndodhura në Greqi.

Letra me vlerë dhe tituj të tjerë të çdo lloji të ndodhura në Greqi, obligacione të shtetit grek, të firmave, të organizmave me selinë administrative të tyre, ose qendrën e tyre në Greqi, akoma edhe titujt përkatës të ndodhura jashtë shtetit.

Para dhe lloje të tjera pagese të ndodhura në Greqi.

Aksione të firmave, të cilat kanë selinë administrative të tyre ose qendrën e shfrytëzimit në Greqi, pavarësisht nga fakti nëse këto aksione janë të mishëruara në letra me vlerë, ose jo, dhe në qoftë se këto mishërime ndodhen në Greqi, ose jashtë shtetit.

Kërkesa ndaj debitorit me banesë, ose me banim të përhershëm në Greqi, ose kërkesa të prejardhura nga shkëmbimet të firmës tregtare në Greqi.

Të drejta të pasurisë industriale dhe intelektuale, të cilat mbrohen në Greqi.

Të drejta mbi elementet pasurore të përshkruara në pikat a-f.

Të drejta nga marrëveshjet rreth elementeve pasurore të pikave a-f.

Çdo element tjetër pasuror i ndodhur në Greqi.

  1. Përjashtohen nga dispozita e paragrafit të mësipërm elementet pasurore, të cilat u përkasin shtetasve grekë me banesë, ose banim në shtete armike.

Neni 8
Sekuestrimi i përkohshëm.

Me ligj, konsiderohen nën sekuestrim të përkohshëm, të gjithë ata që gjatë zbatimit të këtij ligji janë pronarë me cilëndo arsye të pasurive armike, sipas nenit 7, si dhe drejtuesit, administruesit, sekuestruesit, këshilltarët ose cilitdo kujdestarë ose debitorë të elementeve pasurore të tyre, përderisa këta zotërues të pasurive armike janë pronarë të këtyre elementëve pasurore.

 

Neni 9
Marrëdhëniet rreth pasurive përkohësisht të sekuestruara.

Në lidhje me marrëdhëniet rreth pasurive përkohësisht të sekuestruara zbatohen përkatësisht, me rezervimet e dispozitave të këtij ligji, dispozitat e procedurës civile për konfiskimin konservator, në emër të debitorit sipas nenit 8 të sekuestrimit të përkohshëm që ka vendin e tretë dhe të administratorit sipas nenit 12, që ka vendin e kreditorit.

 

Neni 10
Të drejtat e të të tretëve jo armiq.

  1. Sekuestrimi nuk pengon të tretë jo armiq, të ushtrojnë të drejtat e tyre kundër pronarit, pasuria e të cilit është në sekuestrim dhe të kërkojnë plotësimin e tyre, sipas ligjeve analoge, kjo me rezervimet e dispozitës së paragrafit 2 të nenit 2. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, tjetërsimet, regjistrimet në librat e Hipotekës ose në regjistrat themeltarë të anijeve, ose të parashënimet kanë fuqi vetëm për sa kohë që bëhen mbi bazën e një titulli me vendim gjyqësor, ose me dëshirën personale të mëparshme nga zbatimi i këtij ligji dhe bazuar në dokumente shtetërore ose private me datë të saktë, me rezervimet e paragrafit 2 të nenit 2.

Neni 11
Deklaratat e pasurive armike

  1. Të detyruar për deklaratë të pasurive armike në sekuestrim janë:

Pronari i pasurisë armike. Cilido qoftë sipas nenit 8 është sekuestrues provizor i pasurisë armike.

  1. Ata që sipas paragrafit 1 janë të detyruar të bëjnë deklaratë, duhet që brenda një muaji nga hyrja në zbatim e këtij ligji, të paraqesin te nëpunësi i Shërbimit Ekonomik Shtetëror deklaratë të hollësishme në dy kopje, për të gjitha elementët pasurore armike, ose të debitorëve të tyre. Për këtë deklaratë, nuk paguhet asnjë lloj takse.
  2. Afati i paraqitjes së deklaratës mund të shtyhet me një akt të Ministrit të Financave të botuar në Gazetën Qeveritare.
  3. Ata që paraqesin elementet e pasurisë armike pas përfundimit të afatit, përderisa nuk janë të detyruar të bëjnë deklaratë, sipas dispozitave të këtij neni kanë të drejtën e pagesës deri në tre për qind të vlerës së tyre të përcaktuar kundrejt këtyre elementëve me vendim të Ministrit të Financave.

 

Neni 12
Administruesit

  1. Administruesit e pasurive armike nën sekuestrim janë nëpunësit e Shërbimit Ekonomik Shtetëror të vendit ku ndodhet çdo element pasuror.
  2. Aty ku janë shumë nëpunës të Shërbimit Ekonomik Shtetëror, administrator emërohet njëri prej tyre, me vendim të Ministrit të Financave.
  3. Me vendim të të njëjtit ministër, lejohet të emërohen administratorë në vend të nëpunësit të Shërbimit Ekonomik Shtetëror, nëpunës të tjerë shtetërorë ose privatë në qoftë se ushtrimi i administrimit nga nëpunësi Ekonomik Shtetëror, nuk është ai që duhet.

 

Neni13
Detyrat dhe pushteti i administratorëve.

  1. Administratorët kanë për detyrë gjetjen, regjistrimin, mirëmbajtjen dhe sipas destinacionit të zakonshëm, shfrytëzimin e pasurive të sekuestruara, duke marrë për këtë qëllim gjithmonë masat e duhura, kanë për detyrë të synojnë në kënaqjen e kërkesave të sekuestruara, si edhe kënaqjen e të drejtave të tëtretëve, kundër pronarit të pasurisë së sekuestruar. Administratorët fillojnë nga puna, me hyrjen në zbatimi të këtij ligji, ose me përcaktimin e pronësisë të pasurisë armike të sekuestruar.
  2. Administratorët përfaqësojnë në mënyrë të plotë, në rrugë gjyqësore dhe jashtëgjyqësore, pronarin e pasurisë së sekuestruar brenda kufijve të detyrave, të përshkruara në paragrafin 1 dhe tek ata dhe vetëm tek ata, publikohen detyrimisht gjithnjë dokumentet gjyqësore ose jashtëgjyqësore të çdo natyre, që kanë të bëjnë mepasurinë e pronarit.
  3. Çështjet që kanë të bëjnë me administrimin e pasurive nën sekuestrim, mendime të Ministrit të Financave, të botuara në Gazetën Qeveritare. Metë njëjtat vendime rregullohen çështjet e funksionimit të Shërbimit Qendror, në zbatimin e këtij ligji.
  4. Pagesa e administratorëve përcaktohet nga Ministri i Financave, pas dhënies së mendimit të komitetit të përshkruar nga neni 19.

Neni 14
Vazhdimi i funksionimit të ndërmarrjeve

Përderisa nuk bëhet fjalë për firma të kategorive të veçanta, me vendim të Ministrit të Financave, të Ekonomisë Kombëtare dhe të Ministrit kompetent sipas natyrës së ndërmarrjes, mund të lejohet vazhdimi i funksionimit të ndërmarrjeve tregtare ose industriale që janë nën sekuestrim, me të njëjtin titull ose me titull të ndryshëm dhe me cilado burime të tjera. Si administratorë të këtyre ndërmarrjeve, mund të jenë po ata drejtues që ishin, përderisa nuk janë armiq, ose të emërohen si administratorë me vendime të përbashkëta të ministrave të lartpërmendur, persona të ndryshëm, nëpunës shtetërorë ose privatë, me kushte që përcaktohen me vendim, lidhur me vazhdimin funksionimit të ndërmarrjes.

Neni 15
Detyrimi i informimit.

Çdo pronar dokumentesh, librash ose të dhënash, të cilat janë të nevojshme për gjetjen, përcaktimin, ose administrimin e pasurive armike në sekuestrim, sipas nenit 6, është i detyruar t’i vërë ato në dispozicion të administratorëve, në qoftë se ato kërkohen.

Neni 16
Akte urgjente.

Deri në botimin e vendimeve sipas nenit 13, paragrafi 3, lejohet jepja me qira e pasurisë civile, ose bujqësore, ose shitja e detyruar e objekteve, që ndodhen në rrezik degradimi, ose nënvleftësimi me ankand të shpejtë, ose edhe pa të, nga sekuestruesi provizor, ose nga administratori, pas miratimit të Ministrit të Financave dhe pas mendimit të Komitetit sipas nenit 19.

 

Kapitulli C’
Dispozita të përgjithshme.

Nga dispozitat e këtij ligji mund të bëhen përjashtime me kushte, ose pa kushte, me vendime të përbashkëta të Ministrit të Financave dhe të Ekonomisë Kombëtare të botuara në Gazetën Qeveritare, në lidhje me disa kategori aktesh, në lidhje me disa persona ose disa akte.

Neni 18
Dispozita penale.

  1. Kushdo që shkel dispozitat e neneve 2, 3, 4, dhe 6, dënohet me burgim deri në dy vjet, ose megjobë deri në pesëqind mijë dhrahmi, ose me të dy këto dënime, në qoftë se këto akte nuk dënohen me dënim më të rëndë, sipas dispozitave të ligjeve penale të përafërta.
  2. Trupi gjykues bashkë, me dënimin, mund të urdhërojë edhe konfiskimin e elementeve pasurore, të cilat kanë të bëjnë me shkeljen.
  3. Kushdo që shkel dispozitat e neneve 11 dhe 15 dënohet me burgim deri në gjashtë muaj, deri në njëqind mijë dhrahmi, ose metë dy këto dënime, në qoftë se aktet nuk dënohen me dënim më të rëndë, sipas dispozitave të ligjeve penale të përafërta.

Neni 19
Komiteti i zbatimit të ligjit dhe llogaritjes së sekuestrimit të pasurive armike.

  1. Për ndjekjen e zbatimit të këtij ligji, për kontrollin e administratorëve dhe dhënien e mendimit për çdo çështje që mund të rezultojë nga zbatimi i këtij ligji, krijohet një komitet i përbërë nga një Këshilltar iShtetit, ose Gjykatës i Shkallës së Lartë, të Gjykatës së Apelit, si kryetar dhe një prej Profesori ose Docenti ose i së drejtës private, shtetërore ose i së drejtës ndërkombëtare të Universitetit, ose i ndonjë shkolle të lartë, të cilët emërohen nga plotësuesit e Ministrit të Drejtësisë, prej një punonjësi të lartë të Ministrisë së Jashtme, një punonjësi të lartë të Ministrisë së Financave dhe një punonjësi të lartë të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, të emëruar nga Ministrat kompetentë bashkë me plotësuesit e tyre. Sekretar komiteti emërohet një punonjës i Ministrisë së Financave, me gradë të paktën të klasit a’ dhe me vendim të Ministrit të Financave. Me vendim të këtij Ministri mund të emërohet në komitet një punonjës i kësaj Ministrie dhe një referues pa të drejtë vote. Tek anëtarët e komitetit dhe tek referuesi jepen për seancë dyqind e pesëdhjetë dhrahmi dhe te sekretari njëqind e pesëdhjetë dhrahmi.
  2. Gjithnjë të ardhurat kesh nga administrimi i pasurive të sekuestruara, depozitohen në një llogari të veçantë, që ruhet në bankën e Greqisë me titullin “Llogari sekuestrimi i pasurive armike” dhe e cila lëviz me urdhër të Ministrit të Financave, me autorizim nga kryetari i komitetit, sipas nenit 1 të këtij ligji. Nga kjo llogari paguhen të gjitha shpenzimet për zbatimin e këtij ligji
  3. Deri në fazën e grumbullimit të një sasie të mjaftueshme, për përballimin nga shtetit dhe nga kredi të shënuara në bilancin e shpenzimeve të Ministrisë së Financave, të cilat jepen nga llogaria e përshkruar në paragrafin më lart.

Neni 20
Zbatimi i ligjit

Me dekrete Mbretërore të botuara pas propozimit të Ministrit të Financave rregullohet çdo çështje, që ka lidhje me zbatimin e këtij ligji.

Neni 21
Fuqia dhe zbatimi

  1. Ky ligj hyn në fuqi më datën 28 tetor 1940.
  2. Dispozitat e këtij ligji hyjnë në zbatim plotësisht, ose pjesërisht me dekret mbretëror, i cili botohet mbi propozimin e Kryetarit të Qeverisë, të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Ministrit të Financave, nga dita e botimit të dekretit, ose edhe mefuqi prapavepruese. Në të njëjtën mënyrë përcaktohet, ose plotësisht, ose pjesërisht përfundimi i zbatimit të këtyre dispozitave.

Athinë, më 10 nëntor 1940.
Jeorjis B’
Këshilli i Ministrave
Kryetari
Metaksas
Anëtarët:

Ajis Tabakopullos; I. Dhurendis; A. Apostolidhis; I. Arvanitis;A. Ikonomu;S. Polizogopullos;N. Papadhimas;I. Spenxas;S. Papavasiliu;P. Ikonomakos;K. Burbulis;H. Lis;H. Alivizatos;Th. Nikoludhis; J. Zafiropullos;K.Manjadhaqis;A. Xifos;M. Qiriakopullos;K. Koxias.

U verifikua dhe u vu vula e madhe e shtetit
Athinë, më 10 nëntor 1940
Ministri i Drejtësisë
Ajis Tabakopullos
Ligjet detyruese nr. 2637. 1940

Rreth modifikimit dhe plotësimit të dispozitave në lidhje me Organizmin Sigurues të Rreziqeve të Luftës dhe Ligjeve Detyruese.

Jeorjios B’
Mbreti i Grekëve
Mbi bazën e propozimit të Këshillit tonë të Ministrave, vendosim dhe urdhërojmë:

Neni 1

Pjesët a dhe b, të paragrafit 1, të nenit 18 të ligjit Detyrues 2116/1939, ashtu siç u modifikua nëpërmjet nenit 3, të ligjit Detyrues të 2355/1940 dhe nëpërmjet nenit 6, të ligjit Detyrues 2557/1930 zëvendësohen si më poshtë:

Të trupave (anijeve dhe mekanizmave), të anijeve tregtare. Të çdo mjeti transportues, nëpërmjet detit ose tokës, që transporton çdo lloj ngarkese pavarësisht nga destinacioni dhe nga vlera e saj.

Neni 2

Në fund të paragrafit 7, të nenit të ligjit Detyrues 2116/1939, ashtu siç u plotësua nga ligji i Forcës 2557/1940, shtohen paragrafët 8 dhe 9 si më poshtë:

  1. Në rast se bëhet fjalë për punëtorë deti të huaj për llogaritjen e dëmshpërblimeve të lartpërmendura, merret parasysh rroga bazë e zakonshme e punëtorëve vendas, e specialiteteve respektive, dhe jo rroga e punëtorit të huaj, për të cilën është lidhur marrëveshje, për çdo rast konkret.
  2. Në dëmshpërblimin për arsye papunësie të nenit 4004, shtohen edhe shpenzimet e mbajtjes në shtet të huaj të personave, që kanë shpëtuar nga mbytja e anijes, deri në ditën që do të rikthehen në atdhe, dhe shpenzimet për gjetjen e tyre, punë në lundrime të tjera, por për çdo rast, për një kohë jo më të madhe se dy muaj nga mbytja e anijes, përveç se në raste të jashtëzakonshme me vendim të posaçëm të Ministrit të Flotës Tregtare Detare, të botuar pas mendimit të Këshillit Drejtues të Organizimit Sigurues të Rreziqeve të Luftës përcaktohet ndryshe.

Athinë, më 09 nëntor 1940

Jeorjios B’
Këshilli i Ministrave
Kryetari
Metaksas

Anëtarë:
A.Tabakopullos; I. Dhurendis; A. Apostolidhis; I. Arvanitis; J. Nikolaidhis; N. Papadhimas; I. Papavasiliu; P. Ikonomakos; K. Burbulis; Th. Nikoludhis; K. Majnafhaqis; A. Xifos; M. Qiriakopullos.

U verifikua dhe u vu vula e madhe e shtetit
Athinë, më 10 nëntor, 1940
Ministri i Drejtësisë
Ajis Tabakopullos

Rreth përcaktimit, si armike të shteteve sipas kuptimit të ligjit detyrues nr. 2636/1940 të Italisë dhe Shqipërisë dhe vënies në zbatim në lidhje me këto shtete të dispozitave të këtij ligji.

Jeprjios B’
Mbret i Grekëve

Duke marrë parasysh dispozitat 1 dhe 21, të Ligjit Detyrues nr. 2636/1940 “rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurive armike”, mbi bazën e propozimit të Kryetarit të Qeverisë sonë, të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Ministrit tonë të Financave, vendosim dhe urdhërojmë: Përcaktojnë si shtet armik, sipas kuptimit të ligjit detyrues 2636/1940, Italinë, pas marrjes prej saj të tokave perandorake dhe kolonive të saj, si dhe Shqipërinë.

Vëmë në zbatim plotësisht dispozitat e ligjit të mësipërm në lidhje me këto shtete prej datës 28 tetor 1940.

U ngarkojmë Ministrave tanë të Punëve të Jashtme dhe të Financave detyrën e botimit dhe vënies në zbatim të këtij dekreti.

Athinë, më 09 nëntor 1940
Jeorjios B’
Këshilli i Ministrave
Kryetari
Metaksas
Ministri i Financave

Andreas Apostolidhis

Raporti sekret: “Njazi Lleshi, Dodan Përmeti dhe Spiro Gjika, u dënuan për kontrabandë valute”

Dashnor Kaloçi

Në izolimin e plotë ku ndodhej Shqipëria gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës deri në vitin 1990-të, përveç atyre që dilnin jashtë shtetit për arsye pune, si diplomatët, Marina Tregtare apo Agroeksporti, të vetmit shtetas që u jepej mundësia që të dilnin ndonjëherë jashtë, ishin artistët dhe sportistët, të cilët me dietat minimale që u jepte shteti i asaj kohe, nuk kishin mundësi që të blinin në shtetet ku ata shkonin diçka për vete apo familjarët e tyre. Por duke kursyer apo marrë ndonjë ushqim të thatë me vete, ata i përdornin dietat e tyre për të blerë ndonjë gjë të vogël, si: paketë cigare “Marlboro”, çakmak, sapun, syze, letra bixhozi, (kështu quheshin letrat në atë kohë), apo në rastin më të mirë ndonjë bluzë me krahë të shkurtër, që kushtonte më lirë. Por nisur nga dëshira e madhe që kishin shqiptarët në atë kohë për të pasur diçka ndryshe nga të tjerët, detyroheshin që të grumbullonin disa dollarë më tepër sa e lejonte rregulli, apo monedha floriri (Napolon flori apo Gjel) dhe fshehurazi doganierëve t’i nxirrnin ato jashtë për të blerë diçka më shumë. Si p.sh. orë dore (një Gjel floriri jepej për dy ora “Atllantic”), magnetofon, apo në rastin më të mirë, një aparat televizori. Mirëpo nxjerrja e valutës (dollarë, monedha floriri) jashtë shtetit më shumë se sa e lejonte ligji për ata shtetas që dilnin jashtë, konsiderohej kontrabandë dhe në bazë të ligjeve në fuqi të Kodit të Procedurës Penale, quhej krim kundër shtetit dhe ata që kapeshin me këtë gjë, në rastin më të mirë përjashtoheshin nga puna apo sporti, ndërsa në rastin më të keq dënoheshin deri me burg. Për nxjerrjen e monedhave të floririt (Gjel apo Napolon) jashtë shtetit, sportistët kryesisht, detyroheshin që të përdornin lloj-lloj mënyrash për t’i shpëtuar kontrollit të doganierëve vigjilentë. Një prej këtyre mënyrave, ishte futja e tyre në kutitë e qumështit që prodhoheshin në kombinatin ushqimor “Ali Kelmendi” në Tiranë, gjë e cila bëhej që në momentin e prodhimit dhe sportisti që e bënte atë, detyrohej që kur të vinte nga jashtë, t’i sillte ndonjë gjë punëtorit të “ushqimores” që ja mundësonte atë marifet. Një prej tyre që e ka pohuar vetë këtë fakt publikisht gjatë një emisioni televiziv (Histori me zhurmues, Tv Klan, viti 2011), është legjenda e sportit shqiptar, Ajet Toska, Mjeshtër i Sportit në hedhjen e çekiçit. Kështu që nga fillimi i viteve ’60-të kur Shqipëria komuniste u shkëput nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera të Europës Lindore dhe i mbylli kufijtë e saj, e deri në vitin 1990, një numër i madh shtetasish shqiptarë që u jepej mundësia për të bërë “rrugë jashtë”, kryesisht sportistë dhe artistë, janë akuzuar dhe dënuar për “kontrabandë”. Ndër ta ka pasur edhe mjaft personazhe të njohur, artistë dhe sportistë me emër të cilët kanë vuajtur edhe dënimin me burg. Si p.sh. në rastet e para që janë të njohura publikisht, është ai i Skënder Halilit, mjeshtrit të madh të futbollit të ekipit “17 Nëntori” i Tiranës (emrin e të cilit sot e mban fusha sportive e ekipit Tirana), i cili në fundin e viteve ’60-të, u dënua me burg vetëm për dhjetë dollarë që iu gjetën mbi normën dhe dietën e lejuar. Raste të tilla kanë ndodhur edhe në vitet që pasuan me sportistë dhe artistë të tjerë, të cilat tashmë janë të njohura edhe prej publikimit në shtypin e pas viteve ’90-të. Si p.sh. shtangisti, Aleksandër Kondo, kampion absolut për disa vite me radhë, i cili në vitin 1984 u dënua me prerjen e trajtimit ushqimor dhe mospjesëmarrje në disa aktivitete ndërkombëtare, vetëm për një revistë pornografike që doganierët e Rinasit ia gjetën të fshehur në trup?! Apo rasti tjetër i futbollistëve të ekipit “Flamurtari” të Vlorës në mesin e viteve ’80-të, të cilët gjatë kthimit nga Spanja (ku u ndeshën me ekipin “Barcelona” për Kupën e Kampionëve të Europës), u ndaluan në doganën e Hanit të Hotit, pasi kishin blerë më shumë plaçka se u lejohej. Si p.sh. mbrojtësit të famshëm, Rrapo Taho, doganierët i morën një fustan nusesh, që ai e kishte blerë për një person të familjes. Por kjo gjë që ndodhi me Tahon dhe disa shokë të tij të ekipit, të cilëve iu sekuestruan radio-magnetofona etj., ishte gjysma e së keqes. Pasi po atë ditë, në autobusin e tyre u gjet edhe një revistë pornografike, për të cilën ekipi do të kishte jo pak telashe?! Edhe pse “Flamurtari” i famshëm i atyre viteve bëri një epokë, duke kaluar disa herë turet në kupat e Evropës, regjimi komunist nuk i toleronte aspak. Ata duhet t’i nënshtroheshin të gjitha ligjeve dhe rregullave në fuqi, si të gjithë të tjerët?! Ndërsa, siç thamë pak më lart këto gjëra janë tashmë të njohura, në shkrimin e sotëm po publikojmë një dokument arkivor të vitit 1970, ku Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Lefter Goga, me anë të një raport-informacioni, njofton udhëheqjen e lartë lidhur me “implikimin e disa sportistëve të ekipit “Partizani”, në kontrabandë valute”. Dhe sportistët që kanë emrat aty, janë ish-yje të futbollit e basketbollit shqiptar, trajnerë dhe lojtarë të ekipeve kombëtare, si futbollisti Spiro Gjika, basketbollistët, Novruz e Dodan Përmeti, legjenda të basketbollit shqiptar ndër vite. Krahas këtyre emrave të njohur që prej vitesh mbajnë edhe titujt më të lartë si “Mjeshtër i Madh”, etj., në dokumentin në fjalë përmendet edhe mjeku i shquar i ekipeve kombëtare, dr. prof. Lluka Heqimi, një profesionist dhe njeri model, si atëherë dhe sot. Raport-informacioni në fjalë, i është dërguar Hysni Kapos, sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së që mbulonte në rrugë partie organet e diktaturës së proletariatit, (Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Sigurimi i Shtetit, Hetuesia, gjykatat, prokurorinë, etj), i cili ka vënë dhe shënimin përkatës në atë dokument. Këtë raport-informacion të Prokurorit të Përgjithshëm ku propaganda e asaj kohe dhe ligjet strikte diskriminuese të regjimit komunist në fuqi kanë tentuar të përlyejnë dhe t’iu nxjerrin jo pak telashe emrave nga më të mëdhenjtë e sportit shqiptar, po e publikojmë të plotë dhe pa e censuruar aspak. Me të vetmin qëllim, për t’iu treguar brezit të ri që nuk e ka arritur atë kohë, se si funksiononte ai regjim edhe për ata sportistë që i ngrinin lart emrin dhe flamurin e Shqipërisë në pallatet e sportit dhe stadiumet e vendeve të ndryshme të botës.


PROKURORIA
E PERGJITHESHME
(DEGA E USHTRISE)
I N F O R M A C I O N
MBI DISA ÇESHTJE, TE DALA NGA HETIMI I DISA KRIMEVE LIDHUR ME KONTRABANDEN E VALUTES
Kohët e fundit, në Tiranë, janë ndjekur nga Prokuroria Ushtarake disa çështje penale me ushtarakë, të akuzuar për krimin e shkeljes së dispozitave të valutës dhe të arit si dhe atë të kontrabandës.
Personat kryesorë të këtyre krimeve janë sportistë, të cilët kanë dalë disa herë me rradhë jashtë shtetit. Njerzit që u kanë dhënë atyre valutë, përveç shokëve të punës, kanë qenë dhe persona të tjerë të jashtëm, me qëndrime jo të mira politike, të cilët në mënyrë të ndryshme, janë munduar të afrohen me ta.
Në verën e vitit 1969, u procedua dhe u dënua futbollisti i Klubit “Partizani”, oficer Spiro Gjika, ky është djali i një punëtori i rritur në jetimore, por duke rënë pas qejfeve, u shty të marri valutë dhe të sjell plaçka nga jashtë shtetit kontrabandë. (ka nxjerrë 337 dollarë dhe 1 napolon flori). Personat që i kanë dhënë valutë kanë qenë mësues të edukatës fizike si dhe disa të tjerë, me qëndrim moral jo të mirë, me të cilët mbante lidhje dhe shoqeri.
Kështu ka qenë berberi Ali Votopija – njeri i degjeneruar, rreth të cilit grumbulloheshin shumë sportistë, ku një pjesë prej tyre merrte dhe valutë prej tij. Po ky person, ndërmjetëson për të krijuar lidhje të sportistëve dhe me njerëz të tjerë. Kështu, p.sh. Mina Kote, Kujtim Xhara, të dënuar më vonë për krime kundër shtetit dhe kontrabandë, janë interesuar dhe kanë dashur të njihen me Spiro Gjikën për t’i dhënë këtij dollar dhe zhvilluar kontrabandë.
Në fillim të këtij viti u proceduan dhe u dënuan për kontrabandë N/Oficer Pëllumb Shaqiri, sportist i Klubit “Partizani”, Ali Lulolli, basketbollist i Klubit “Dinamo”, e të tjerë. Furnizues me dollar i këtoj grupi, ka qenë i përmënduri, Ali Votopija si dhe Thoma Cikoni, rrobaqepës që ka njerëz jashtë shtetit.
Sportisti Ali Lulolli, ka qenë këshilluar vitin e kaluar për vepra të tilla. Megjithatë ay nuk hoqi dorë.


Materialet hetimore të mësipërme u punuan në klubet e ndryshme sportive, u vunë në dijeni qëndrat e punës si dhe institucionet qëndrore të tyre. Megjithaët rezulton përsëri, se disa anëtarë të këtyre klubeve janë marrë dhe më vonë me valutë dhe kontrabandë.
Nga Klubi Sportiv “Partizani” u procedua N/Oficer Niazi Lleshi, trainer i basketbollit për të rinjtë e “Partizani”, N/ Oficer Novruz Përmeti, trainer i vajzave dhe i pionerëve të Klubit Sportiv “Partizani”, Dodan Përmeti, baskebollist i Partizanit, Lluk Heqimi, mjek, etj.
Furnizues me dollar i këtyre, kanë qenë persona të ndryshëm si Jani Meksi, djali i një të burgosuri, Besnik Kodra, njeri pijanec etj.
Pra, ndërsa personat që nxjerrin valutën, dhe blejnë plaçka kontrabandë, janë njerëz me përbërje të mirë politiko-shoqërore, personat që i furnizojnë këto me dollar, në një pjesë të tyre janë element me përbërje jo të mirë politike dhe morale dhe deri diku t’interesuar për të shtyrë të tjerët në krim, apo për të krijuar lidhje me t’a, siç është rasti i përmëndur më lart me oficer Spiro Gjikën.
Nga procesi i fundit del, se disa prej tyre si Dodan Përmeti, kanë pasur lidhje dhe njohje, nëpërmjet këtyre veprimeve dhe me persona të tjerë, dy prej të cilëve u arrestuan kohët e fundit për krime kundër shtetit.

Për të prevenuar këto krime, ne organizuam këtë muaj disa mbledhje të tjera me sposrtistët e këtyre klubeve, ku prokurori ushtarak i qytetit punoi konkluzionet e hetimit.
Në këtë process implikohen mjaft persona, me përbërje politiko-shoqërore. Për këtë arsye një pjesë prej tyre nuk janë ndjekur penalisht, ndërsa për të proceduarit e grupit të fundit, kolektivi propozoi që t’ia lëmë atyre për edukim dhe të ndjekë nga afër përmirësimin e tyre deri në rehabilitimin e plotë. Ne pranuam propozimin e tyre, por megjithatë, mendojmë se puna politike dhe edukative e drejtuesëve të këtyre klubeve, të seksioneve të arsimit, e të tjerëve, muk ka pasur efektivitetin e duhur.
Në dhënien e këtij informacioni u nisëm nga fakti se, sikurse dihet rreth sportistëve të këtyre klubeve grumbullohen mjaft të rinj, gjë që menduam se ka interes për një trajtim më të kujdesëshmë të këtioj sektori. Nga hetimi del, se edhe të tjerë sportistë kur dalin jashtë shtetit, shifen të bredhin nëpër dyqane me valutë në dorë. Kjo, nga ana e jonë, u është vënë në dukje drejtuesëve kryesorë të këtyre klubeve për të nxjerrë detyra për trainerët dhe përgjegjësit që I shoqërojnë.
Lidhur me krimet e mësipërme dhe personat fajtorë, janë vënë në dijeni Komitetet e Partisë nga varen këto klube, Komandat dhe qëndrat e punës.
Tiranë, më 3 IX.1970
PROKURORI
I PERGJITHSHEM
(LEFTER GOGA)

Paris-soir (1937) : Nga ferexheja tek mbajtja e kaskës, në tetë muaj, gratë e Shqipërisë kanë bërë një rrugë të gjatë për t’u çliruar nga tutela mashkullore. Maxhidja, motra e Zogut, udhërrëfyesja e këtij emancipimi

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Nëntor 2017

Gazeta franceze, “Paris-soir”, ka botuar, të premten e 26 nëntorit 1937, në faqe të parë dhe të shtatë një shkrim për princeshën Maxhide dhe emancipimin e grave shqiptare.

Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë të gazetës, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ndodhi një revolucion i vërtetë.

Pranverën e kaluar, një dekret i Mbretit Zog të Shqipërisë shpalli barazinë mes gruas dhe burrit, dhe ndaloi ferexhen në të gjithë mbretërinë, e cila ishte vendi i fundit në Ballkan që u qëndronte ende besnik shumicës së traditave myslimane.

Pra, nesër, në përvjetorin e çlirimit të Shqipërisë, një batalion i grave do të marrë pjesë në paradën e madhe ushtarake. « Amazonat » e reja do të paraqiten me uniformën e zakonshme ushtarake : kaskën, çizmet, maskën e gazit, pushkën dhe mitralozin.

Ato do të komandohen nga Princesha Maxhide, një nga gjashtë motrat e Mbretit Zog, gruaja që ka bërë më së shumti për emancipimin e grave shqiptare. Ajo mban gradën e togerit në gardën mbretërore.

Nga ferexheja tek mbajtja e kaskës, në tetë muaj, gratë e Shqipërisë kanë bërë një rrugë të gjatë për t’u çliruar nga tutela mashkullore.

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/paris-soir-1937-nga-ferexheja-tek-mbajtja-e-kaskes-ne-tete-muaj-grate-e-shqiperise-kane-bere-nje-rruge-te-gjate-per-t-u-cliruar-nga-tutela-mashkullore-maxhidja-motra-e-zogut-udherrefyesja-e-ketij-emancipimi/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.