VOAL

Please Wait...

E Veshur në Bukuri – Poezi nga BAJRONI (1788-1824) LORD BYRON (GEORGE GORDON) – Përktheu KUJTIM MORINA

By | May 5, 2019
3 Comments
  • author avatar
    essat bilali 2 years ago Reply

    Z. Kujtim Morina, e lexova disa here përkethimin tuaj të sajimit te Bajronit. Pa fije dyshimi ju keni bërë një punë adekuate dhe shumë të mirë në përkëthim dhe ju përshëndes. Por nuk r di çka të thom kur e krahasoj me përkëthimin e Beatriçes së Dantes nga fashisti Er neso Koliqi. Të fala.

  • Regression Testing 2 months ago Reply

    … [Trackback]

    […] Find More Info here to that Topic: voal.ch/e-veshur-ne-bukuri-poezi-nga-bajroni-1788-1824-lord-byron-george-gordon-perktheu-kujtim-morina/ […]

  • … [Trackback]

    […] Read More to that Topic: voal.ch/e-veshur-ne-bukuri-poezi-nga-bajroni-1788-1824-lord-byron-george-gordon-perktheu-kujtim-morina/ […]

Komentet

Pika e ujit – Përrallë nga HANS CHRISTIAN ANDERSEN – Përktheu Skënder Buçpapaj

Sigurisht ju e njihni lupën, një lloj monokli që e bën gjithçka njëqind herë më të madhe se sa është në të vërtetë? Nëse e merrni dhe e mbani përpara një pike uji në pellg, atëherë shihni më shumë se një mijë kafshë të vogla të çuditshme, të cilat zakonisht nuk shihen kurrë në ujë, por ato janë atje dhe ekzistojnë vërtet. Ato pothuajse duken si një pjatë e mbushur me karkaleca që hidhen njëra mbi tjetrën dhe janë aq të egër saqë shqyhen krahësh, këmbësh, shpine dhe ijesh, dhe megjithatë janë të lumtura e argëtohen, megjithëse në mënyrën e tyre.
Njëherë e një kohë ishte një burrë i moshuar që të gjithë e quanin Krible-Krable, sepse ky ishte emri i tij. Ai gjithmonë dëshironte të merrte më të mirën nga gjithçka dhe, kur kjo nuk ishte e mundur, ai i drejtohej magjisë.
Një ditë ai po shikonte me xhamin e tij zmadhues një pikë uji që ishte marrë nga një pellg në hendek. Çfarë mornicash e shpuan si gjilpërat! Mijëra kafshë të vogla u hodhën, shqyen dhe gllabëruan njëra-tjetrën.
“Por kjo është e tmerrshme!” bërtiti plaku Krible-Krable. “A nuk është e mundur t’i bëjmë ato të jetojnë të qetë dhe në paqe, në mënyrë që të gjitha të kujdesen për biznesin e tyre?” Ai meditoi për një kohë të gjatë, por nuk gjeti një zgjidhje, dhe kështu ai iu drejtua magjisë. “Unë do t’i ngjyros ato”, tha ai, “kështu që ata mund të shihen më mirë!” dhe derdhi diçka në pikën e ujit që dukej si një pikë verë e kuqe, por ishte gjaku i shtrigave, cilësia më e mirë, bga ato dy para secila. Kështu që të gjitha ato kafshë të çuditshme u bënë rozë, dukej si një qytet me njerëz të egër të zhveshur.
“Çfarë ke atje?” pyeti një magjistar tjetër i vjetër, i cili nuk kishte asnjë emër dhe pikërisht për këtë arsye ai ishte aq i dalluar.
“Nëse e gjen,” u përgjigj Krible-Krable, “Unë do ta dhuroj, por nuk është një gjë e lehtë ta gjesh nëse nuk e di më parë.”
Magjistari pa emër vështroi përmes lupës. Dukej tamam si një qytet i tërë, ku burrat shëtisnin të zhveshur, dhe kjo ishte e neveritshme, por ishte edhe më e neveritshme të shihja se si ata shtyheshin dhe përplaseshin me njëri-tjetrin ndërsa kafshoheshin, kafshoheshin dhe lëndoheshin. Kush ishte poshtë të gjithëve duhej të arrinte lart dhe kush ishte sipër duhej të kalonte poshtë! “Shikoni, shikoni! Këmbët e tij janë më të gjata se të miat! Paf! larg tij! Është një që ka një gungë të vogël pas veshit, e vogël por që e lëndon atë dhe për këtë arsye ai duhet të vuajë edhe më shumë!” dhe ata e kafshuan, e shqyen dhe e hëngrën për shkak të asaj gunge të vogël. Ishte dikush i shoqëruar me një zonjë të re, dhe të dy dëshironin vetëm pak paqe dhe qetësi, por zonja e re u tërhoq zvarrë, e shqyer dhe e gllabëruar.
“Është kaq qesharake!” bërtiti magjistari.
“Çfarë mendon se është?” e pyeti gjithë kureshtje “a mund ta gjesh?”
‘Ju mund ta shihni mirë, “u përgjigj tjetri,” është padyshim Kopenhaga ose ndonjë qytet tjetër i madh; të gjithë ngjajnë! Sigurisht që është një qytet i madh “.
“Jo, është ujë grope”, tha Krible-Krable.

GJENIA SHKODRANE NË LIBRIN E XHAHID BUSHATIT PËR TEATRIN ‘MIGJENI, Botime ALBAS, Tiranë, 2019. – Shënime nga SKËNDER BUÇPAPAJ

 

 

Një dhuratë tejet e çmuar për mua nga Shkodra në javët e para të këtij viti – libri “Teatri ‘Migjeni’, kujtesa e një qyteti” (Biografi, role, intervista, kujtime, biseda, dëshmi, dorëshkrime, ditare, letra, arkiv.. etj.).

Autori i librit Xhahid Bushati, miku im i hershëm që nga fillimi i viteve ’70, është shkrimtar shumë i njohur, me dhjetëra libra të botuar të letërsisë për fëmijë të të gjitha moshave dhe me shumë libra për të rritur, lëvrues i shquar i poezisë, i përrallës, i tregimeve, novelave, pjesëve për kukulla, fitues çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare, i botuar në revistat e specializuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mal të Zi, pjesëmarrës aktiv dhe i vlerësuar në panairet shqiptare të librit, me rol të rëndësishëm në funksione drejtuese në Shoqatën e pavarur të shkrimtarëve shqiptarë të letërsisë për fëmijë e të rinj. Ai është mësimdhënës që nga mesi i viteve ’70, fillimisht në malësitë e Kukësit, më pas në malësitë e Veriut dhe në qytetin e lindjes, pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, kritik dhe studiues serioz i letërsisë, njeri dhe artist me interesa shumë të gjera dhe me pasion e dashuri të mëkuar qëkur ka lindur për Shkodrën e tij, qytetin tonë të përjetshëm.

 

XHAHID BUSHATI

Që nga mesi i viteve ’80, pas specializimit pasuniversitar në Universitetin e Tiranës, Xhahid Bushati u muar për 15 vjet me gazetari kulturore në Radio Shkodra. Këtu zuri fill edhe libri për Teatrin “Migjeni”, i cili ia mori autorit të tij 31 vjet punë.

Pa të gjitha cilësitë dhe përvojat e mësipërme vështirë të mund të përfytyrohej poetika e kujtesës së qytetit, e përbërë nga jetëshkrime aktorësh, burime arkivore, koleksione gazetash dhe revistash, dëshmi kolegësh, dorëshkrime të vetë aktorëve, letra, intervista që i ka marrë autori i librit, nuk mund të kuptohej poetika e ngjizjes dhe krijimit të këtij libri, i cili përfshin dekada të tëra kujtese të disa brezave të artistëve shkodranë, nuk mund të kuptohet as poetika e leximit të këtij libri.

Teatër është një fjalë e greqishtes së vjetë që do të thotë “vend për të parë”, pra vend ku njerëzit shkonin e shkojnë për të parë jetën e tyre të shndërruar në art. Është hapësirë e shenjtë për aktorët. Është rreze rëntgen për shpirtin e kohës dhe të shoqërisë. Teoritë përkatëse e shikojnë si formë arti të së tashmes: ai ekziston vetëm në të tashmen, dhe menjëherë zhduket. Këtë përgjegjësi e kanë ndjerë edhe aktorët e mëdhenj të Shkodrës. “Në teatër çdo natë lind, rritet dhe vdes një vepër”, është një fjalë e urtë të cilën Bep Shiroka dhe kolegët e tij e kishin si refren të jetës. Prandaj për këtë formë të artit thonë edhe se është një realitet që ekziston vetëm në mendjen e publikut, për rrjedhojë vetëm në kujtesën e publikut.   Edhe Xhahid Bushati e shikon, me të drejtë, si kujtesë të qytetit të Shkodrës teatrin “Migjeni”.

37 emra që i dhanë kuptim më të plotë jetës shkodrane dhe gjenisë shkodrane

Janë 37 emra të mëdhenj pa të cilët Shkodra mijëravjeçare do të ishte e mangët, 37 emra që i dhanë kuptim më të plotë jetës shkodrane dhe gjenisë shkodrane në gjithë gjysmën e dytë të Shekullit XX dhe në gati krejt çerekun e parë të Shekullit XXI.

Xhahid Bushati, në librin e tij, i pari dhe deri tani i vetmi për Teatrin “Migjeni”, një libër që vetëm ai (siç do ta argumentojmë në këto shënime) mund ta shkruante, i ka sjellë këtu sipas rendit alfabetik. Këtij rregulli nuk i binden vetëm emrat Paulin Lacaj ( 28 prill 1914 – 14 janar 1976) dhe Fejzi Spahija. I pari është ai që mendoj se, po të mos mendojnë për historinë e teatrit themeluesit e saj, nuk do të ketë kush të mendojë. Dhe u bë edhe themelues i arkivit, ku ka gjetur lëndë edhe ky libër, ku mund të gjejnë lëndë të gjithë librat, të gjitha veprat e artit që do t’i kushtohen në veçanti këtij institucioni dhe në tërësi këtij qyteti që është djepi i kulturës sonë kombëtare. Lacaj e kuptonte se, me kohën, gjithçka që do të shqiptohej në skenën e teatrit, do të shuhej në eter dhe se ai arkiv do të ishte pavdekësia e teatrit. (“Për të e rëndësishme ishte çdo gjë: një telegram, një ftesë teatri, një pjesë, një shirit incizimi, data se kur është dhënë shfaqja, platforma e regjisorit…”) Autori i librit vë re një veçanti karakterizuese të Lacajt, gjithçka e shkruante me penë. Megjithëse e zotëronte makinën e shkrimit, ai parapëlqente bukurshkrimin e tij, atij ia besonte jetëgjatësinë arkivit, joshjen ndaj studiuesve që do të interesohen për historinë e teatrit. Në fakt, Lacaj çonte më tej traditën e skribëve, shkruesve të saktë e të bukur të teksteve, pa të cilët deri vonë as që mund përfytyrohej asnjë burokraci. Nga kjo trashëgimi, autori i librit, ka shkëputur një faqe shembullore, atë të organikës së parë, mbi bazën e vendimit të Këshillit të Ministrave, datë 24 nëntor 1949, mbi themelimin e teatrit profesionist të Shkodrës, i cili hynte në fuqi më 1 dhjetor 1949.

I dyti, Fejzi Spahija, aktor dhe më vonë drejtor i insitucionit, mendon dhe punon për pavdekësinë e teatrit në një mënyrë tjetër, ai shkruan ditar.  Në libër vijnë fletë ditari nga vitet 1960-1961, shumë të rëndësishme për rritjen profesioniste të institucionit. Ndër të tjera janë penelatat brilante për përcjelljen që ia bëri Shkodra piktorit Simon Rrota, i ndarë nga jeta me 28 janar 1961 dhe eklipsit të diellit të 15 shkurtit të atij viti.

Pa i periodizuar, thjesht mbi kritere enciklopedike, sipas renditjes alfabetike, vijnë 35 emrat e tjerë të mëdhenj: Adem Kastrati (13 shkurt 1909 – 14 qershor 1972), Andrea Skanjeti (21 gusht 1906 – 29 nëntor 1992), Antoneta Fishta (22 janar 1922 – 26 tetor 2006), Athanas (Tano) Banushi (4 shkurt 1927 – , Bep Shiroka (25 shtator 1933 – 1 korrik 2010), Çezarina Çiftja (26 shkurt 1927 – 16 maj 2008), Esat Oktrova (28 prill 1930 – 21 mars 2001), Fadil Kraja (1931), Fatbardh (Bardh) Smaja (2 shtator 1956 – shtator 2016), Gjosho Vasia (28 tetor 1931 – 31 dhjetor 2019), Hajrije Sula, Hasan Smaja (25 korrik 1922 – 23 korrik 1997), Jolanda (Landi) Shala (14 maj 1947 – 22 nëntor 1984), Julka Kakarriqi, Justina Alia, Lec Bushati (10 korrik 1923 – 16 shtator 1996) , Lec Fishta (5 mars 1920 – 4 korrik 1995), Lec Shllaku (3 nëntor 1921 – 4 gusht 2007), Mirjam Bruçeti (15 mars 1949 – , Ndrek Prela (13 mars 1920 – 14 nëntor 2011), Ndoc Deda ( – 22 shkurt 1983) , Nefail Piraniqi (18 mars 1940 – 8 shkurt 1996), Paulin Preka (2 shkurt 1935 – , Pjetër Deda, Pjetër Gjoka (2 gusht 1912 – 12 maj 1982), Preng Lëkunda (6 korrik 1921 – 3 mars 1968), Ramiz Rama (9 nëntor 1911 – 3 korrik 2015), Roza Xhuxha (Anagnosti) (27 tetor 1943) , Serafin Fanko (24 maj 1937 – 29 nëntor 2017), Tefë Krroqi (28 shtator 1924 – 1 dhjetor 1995), Tinka Kurti (17 dhjetor 1932), Violeta Sekuj, Zef Deda (27 korrik 1950), Zef Jubani (2 dhjetor 1910 – 1 dhjetor 1958), Zyliha Miloti (11 janar 1946).

Janë të gjithë zëra enciklopedikë, ku kërkohet që dijetari të bëhet një me artistin e fjalës, stili shkrimor dituror të bëhet një me stilin letrar, çka këtu është arritur më së miri.

Janë të gjithë emra që i zgjojnë nostalgji një brezi më të hershëm se ne, brezit tonë, si dhe brezave pas nesh. Shumë prej tyre kam pasur fatin t’i ndjek në skenën e teatrit “Migjeni” në periudhën time të shkurtër studimore në Shkodër, ndonjë prej tyre edhe e kam takuar e njohur më nga afër në mjediset kulturore shkodrane, më vonë edhe në mjedise të kryeqytetit. I kam ndjekur gjithnjë në emisionet “Teatri në mikrofon” apo “Teatri në ekran” të asaj kohe. Disa prej tyre edhe në filmat që ata kanë luajtur. Shumë nga ata që nuk kam pasur si t’i njoh as t’i shoh, kishin filluar jetën e tyre të dytë, të shndërruar në legjendë, në Shkodrën e tyre. Nga yje tokësorë ishin shndërruar tashmë në yje qiellorë. Nga yje të përditshmërisë shkodrane ishin shndërruar në yje të qiellit të përjetësisë së artit shkodran dhe atij kombëtar.

Nga këndi i një admiruesi të përkushtuar, aq më tepër i një bashkëqytetari, i një njohësi të afërt, nganjëherë edhe shoqëror e familjar, si dhe të një hulmtuesi të zellshëm e të palodhur iu është qasur Xhahidi, i cili ka pasur fatin e veçantë, të privilegjuar, se është lindur e rritur me artin e tyre. Pa këtë përmasë që e përshkon tejendanë librin, vështirë se do t’ia arrinte të sillte jetën 70 vjeçare të Teatrit “Migjeni”, të përbërë nga jetë dhe vepra të të gjithë atyre 37 emrave, të denjë secili për romane më vete.

Kjo jetë 70 vjeçare ka një parajetë që daton, për skenën teatrore, që nga viti 1880, me lindjen e artit amator, por edhe në karnavalet të cilat askund nuk ishin më të bukura se në Shkodër derisa i ndaluan më 1967, prej ku degëzohen teatri dhe humori, të pasuara në estradën, në dramën dhe në komedinë, prej ku degëzohen arti muzikor dhe artet e lojës skenike, derisa pikërisht në Teatrin “Migjeni” do të luhej opera e parë shqiptare, “Mrika”.

Lexuesit i është lehtësuar gjithçka që, nëpërmjet renditjes alfabetike, të bëjë vetë renditje të tjera sipas rrafshesh të ndryshme që libri i ngërthen thellë vetes. Sipas kësaj poetike, do të kishim disa nën-ndarje të emrave të mëdhenj të teatrit shkodra, si (1) jetë të ndërprera (2) talente të ndërprera (3) jetë dhe talente të mbijetuara (4) jetë dhe talente të përmbushura. Në mënyrë të përmbysur do të kishim ata që patën fat në jetë dhe në karrierë, ata që patën peripeci në jetë dhe në karrierë, ata që nuk patën fat të bënin karrierë dhe ata që nuk patën fat të jetonin.

Në kohën tonë qarkullonte shpesh e kudo thënia e Gorkit se rruga e artit është e shtruar me gozhdë.  Për artin skenik në Shkodër majat e gozhdëve ndoshta ishin më të mprehta se kudo tjetër. Artistët e skenës përballeshin me luftën e klasave në shoqëri e në arte, me biografitë e tyre, me sfidat e rritjes artistike, deri me sfidat e jetës së tyre të përditshme.

Vdekjet engjëllore në Teatrin “Migjeni”

Jetë dhe karrierë e ndërprerë është Zef Jubani, sinonim i vetë Teatrit. Në moshën 48 vjeçare, në kulmin e tij artistik, Zefi vendosi të mos e dërgojë shpirtin e tij në qiell, por ta mbajë brenda atyre mureve, ku kishte jehuar edhe zëri i tij. Me biletën në xhep për të parë operën e Prenk Jakovës, papritur e pakujtuar, ai, në krahët e shokëve pushon së jetuari dhe nis përjetësinë e tij. Deri atëherë ka realizuar 40 role, secili më kryevepër se tjetri. I mbeten pa luajtur edhe dhjetëra role të tjera. Vdekja e tij është ëngjëllore.  Xhahid Bushati nuk ka pasur si të takohet, si të njihet, si të bisedojë me Zefin, por arrin të takohet me jetën e Zefit, të njihet e të bisedojë me të nëpërmjet kujtimeve të Tinka Kurtit, Ymer Balës, Ndrekë Prelës, Violeta Sekujt, Bep Shirokës, Antoneta Fishtës, Lec Bushatit, Dionis Bubanit, Xhemal Brojës. Xhahidi i drejtohet metaforikisht Jubanit: “Këto kujtime i mblodha siç mblidhen xixëllonjat, por nëpër vite.”

Në të njëjtën mënyrë Xhahidi rindërton jetën Pjetër Dedës, babait të aktorit Zef Deda, atij që ndërtoi traditën e skenografisë në Teatër, i larguar këso bote në moshën 36 vjeçare. Xixëllonjat e kujtimeve tregojnë se ishte një vizatues i pashoq. Ishte i vetmi që u ndodh pranë Gjergj Fishtës në çastin e vdekjes dhe e përjetësoi atë moment me laps e letër. I tij, në laps e letër, është edhe portreti më i njohur i Mjedës. Ai është rritur jetim, është nga një familje e varfër brez pas brezi. Dhe pas vetes lë, po ashtu, fëmijë të varfër e jetimë. Edhe vdekja e tij është ëngjëllore.

Në një tjetër dritë, tashmë intime, sjell autori Nefail Piraniqin, mikun e tij të ngushtë, me shumë miq të përbashkët, të cilit vdekja ia ndërpreu jetën dhe karrierën në moshën 56 vjeçare. Është një tjetër vdekje engjëllore në Teatrin Migjeni.

Jetë dhe karrierë e ndërprerë dhimbshëm dhe trishtueshëm, në moshën 29 vjeçare, është Çezarina Çiftja, aktorja e parë e profesioniste e teatrit “Migjeni”, së cilës teksa bisedon me autorin e librit, i shpëton një lot “mbi faqen e mplakur…”. Një jetë dhe karrierë e ndërprerë, një poemë tragjike, një dhimbje që për Shkodrën, qytetin më artdashës në botë, nuk ka të shuar as të mbaruar kurrë është Jolanda Shala. Në kapitullin e saj, Xhahid Bushati shpalos poetin më shumë se në çdo kapitull tjetër të librit të tij: “Një jetë me ëndrra! Çelën në maj, u venitën dhe u thanë në nëntor. Një rriskë qielli mbushur me xixëllonja maji!” Më tej: “Fëmijëria e saj rrinte si pikë loti mbi qerpikun e njomë, pezull mbi faqen e brishtë. Prindërit i vdiqën herët.” Të papërsëritshme janë edhe portretet e prindërve të saj, Gasprit, babait violinist virtuoz, Marijes, këngëtares me zë të ëmbël të jareve shkodrane. Është edhe kjo një vdekja engjëllore në Teatrin “Migjeni”.

            Jetë dhe karrierë e ndërprerë është Preng Lëkunda, i larguar nga jeta në moshën 47 vjeçare, në kulmin e përkryerjes artistike në teatër dhe në fillimet e para në kinematografi, pas një sëmundje që e mori brenda ditës. Reklama e shfaqjes ku ai do të luante në mbrëmje, do të hiqej. Preng Lëkuda vdiq! Shfaqja nuk do të jepet. Shkodra mezi mban frymën. Është vdekje tjetër engjëllore në Teatrin “Migjeni”.

Ndërprerjet dramatike në Teatrin “Migjeni”

Karrierë e ndërprerë është Ndoc Deda, i ardhur edhe ai nga një mjerim i skajshëm familjar. E fillon jetën e teatrit 13 vjeç dhe ia ndërpresin kur ai është 44 vjeç. Më 8 maj 1951 kur ia vënë prangat dhe bën 8 vjet burg të rëndë në kampet e punës. Pas daljes nga burgu i kthehet jetës teatrore amatore, por kurrë asaj profesioniste.

Karrierë e ndërprerë, pa rikthim, për arsye biografike, është aktorja Hajrije Sula. Karrierë e ndërprerë dhe e mbijetuar është Justina Alia, e goditur pas Plenumit të IV-t për shkak të Festivalit të 11-të Këngës në Radiotelevizion.

Karrierë e ndërprerë është edhe Lec Bushati, epiku më i madh i skenës dhe ekranit shqiptar, i përballur pothuaj gjithnjë e tejet suksesshëm me role të mëdhenj. Zërin e tij shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë qëkur ai dubloi zërin e Skënderbeut në filmin sovjetik për Heroin tonë Kombëtar. Portreti i zëri të tij, që duket sikur e shqiptojnë grykat e maleve, është më harmonik se te kushdo tjetër me portretin fizik të njeriut. Lec Bushati e ndërpreu karrierën e tij në Paris, kur në sheshxhirimin e tij të fundit, pësoi krizë në zemër dhe iu nënshtrua një operacioni shumë të vështirë. Kështu që në njëzet ditët e fundit të jetës së tij Lec Bushati nuk i pa më skenat as sheshxhirimet.

Të gjithë këta emra janë sinonim i Teatrit “Migjeni”

Jetë dhe karrierë e përmbushur është Andrea Skanjeti, njëri ndër tre regjisorët (bashkë me Esat Oktrovën dhe Serafin Fankon) dhe njëri ndër tre dramaturgët (bashkë me Fadil Krajën dhe Serafin Fankon) që ka lënë përjetë vulën e tij në teatrin “Migjeni”. Skanjeti ka bërë mbi 300 regji në këtë teatër dhe plot të tjera në teatrin e kukullave, është vlerësuar gjithnjë nga kritika bashkëkohore dhe ka marrë titullin më të lartë të atëhershëm, Artist i Popullit. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Athanas (Tano Banushi), të cilin Xhahid Bushati e quan “univers aktoresk”. Ka dalë mbi 1000 herë në skenën e teatrit, ka realizuar mbi 1000 personazhe, në mënyrë brilante. Është aktori komik shqiptar me rrezatimin më të gjerë. Autori i librit nuk ka përtuar t’i shterojë të gjithë përfundimet e arritura nga njohësit më të thellë të artit të tij shumë kompleks dhe të sjellë edhe analizat e sintezat e tij. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Bep Shiroka aktor i roleve të mëdha në drama dhe komedi. Në më se 40 vjet karrierë ka luajtur 160 drama e komedi dhe në shumë filma. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Fadil Kraja, i cili ka në fondin e teatrit rreth 60 drama. Pa to, ky institucion nuk mund të kuptohet. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Hasan Smaja, me mbi 100 role në estradë, realizuar plot kolorit dhe dhe me larmi të pashoqe. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Ndrek Prela, nga 91 vjet 60 prej tyre në skenë dhe ekran, aktor i paharrueshëm i përkryerjes së të ashtuquajturave role të vogla. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Paulin Preka, tetë vite në teatrin e dramës dhe 37 vite në teatrin e estradës, duke realizuar mjeshtër me qindra personazhe. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Serafin Fanko si aktor, regjisor dhe dramaturg që solli përmasën moderne në teatrin e Shkodrës dhe me ndikim në teatrin e kinematografinë shqiptare. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Tinka Kurti, “interpretuesja rrezatuese, me një diapazon të gjerë aktorial në skenë dhe në kinematografi,” – siç e cilëson Xhahid Bushati. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Zyliha Miloti me mbi 50 vjet në skenë. Të gjithë këta emra janë sinonim i Teatrit “Migjeni”.

            Aktorë shumëplanësh, artistë shumëtalentësh

Aktore shumëplanesh është Atoneta Fishta, e sukseshme rolet komike, dramatike dhe në kinematografi. Tano Banushi siç nënvizon Xhahid Bushati, “ishte aktor shumëplanësh. Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, parodinë, vodevilin, farsën, intermexon etj.”.  E suksesshme në dramë e komedi është Mirjam Bruçeti. I suksesshëm në teatër e kinematografi është Ndrek Prela. Aktor i sukseshëm drame dhe humori është Paulin Preka. Aktor i sukseshsëm i dramës dhe komedisë është Ramiz Rama. E suksesshme në teatër dhe kinematografi është Tinka Kurti. Aktore e sukesshme e dramës dhe komedisë është Zyliha Miloti.

Artist shumëtalentësh e personalitet i shumanshëm është Andrea Skanjeti, “drejtor, regjisor, dramaturg, përkthyes, shkrimtar, filatelist, përgatitës fjalori…” Artisti Bep Shiroka tregonte se në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve nuk ishte pranuar si aktor, por si piktor. Me pikturë ka vazhduar të merret gjithë jetën. Ka marrë pjesë në ekspozitat e arteve figurative në Shkodër 25 vjet rresht. . Ishte edhe fotograf. Përveçse aktor i suksesshëm i dramës dhe komedisë, ai është autor i 30 skenografive në teatrin “Migjeni”. Një pasion që e ka shoqëruar nga fëmijëria deri në fund të jetës është ai për kanarinat. Fatbardh Smaja ishte klarinetist i talentuar dhe piktor krahas kushtimit ndaj teatrit dhe televizionit. Gjosho Vasia “parodist e kupletist, aktor e imitues, këngëtar duet me kitarën e tij ‘besnike'”, madje edhe kompozitor e autor tekstesh të këngëve. I tillë është edhe Zef Deda. Kitarist e prestixhator, përveçse kupletist i pashoq është Hasan Smaja. Këngëtare, aktore shumplanëshe e teatrit dhe kinematografisë është Justina Alia. Nefail Piraniqi, krahas galerisë së roleve, ka lënë pas vetes edhe batuta pafund me humorin e tij karakteristik shkodran. Preng Lëkunda deri në fund të jetës krahas skalitjes së roleve u muar me skalitjen e vargjeve poetike. Serafin Fanko, regjisori i katërt i teatrit “Migjeni” është gjithashtu aktor, është dramaturg, është skenograf (ka bërë 18 skenografi të shfaqjeve të veta dhe të kolegëve), i shquar është edhe në Teatrin e Poezisë. Tefë Krroqi është aktor, iu përkushtua poezisë deri në fund të jetës. Shkroi dramë. U muar me përkthime dhe me punë botuese.

Xhahid Bushati e mrekullon lexuesin në çdo faqe të librit të tij duke u marrë në masën e duhur me çdo aspekt të lartpërmendur të 37 figurave të teatrit “Migjeni”. Dhe çdo lexues, në mënyrë të pavarur, mund të nxjerrë prej këndej përfundimin e tij se këta aktorë të mëdhenj, këta artistë të talentuar të Shkodrës dhe të kombit, para se të jenë të tillë, janë njerëz me botë të madhe.

Itinerare teatrore

7 nga të 37 emrat e mëdhenj të artit teatror shkodran nuk kanë lindur në Shkodër. Antoneta Fishta lindi në Vjenë, kur është 6 vjeçe dhe banon me familjen në Korfuz mbetet jetime nga nëna, kthehet në Shqipëri, ia kushton jetën dhe talentin Shkodrës, vdes në Itali. Esat Oktrova lind në Pogradec, mbaron studimet në Moskë, është regjisori i tretë i Teatrit “Migjeni”, për tetë vjet punë, krijon shkollën “Oktrova”, – siç nënvizon Xhahid Bushati. Me origjinë prej babait nga Shkodra, lind në Jugosllavi, në Korçola, Julka Kakarriqi, më 1928, kthehet në Shkodër, ku punon mësuese e pastaj aktore deri në pensionim. Ndrek Prela lindi në Tivar, 5 vjeç erdhi në Shkodër, më 1927 me familjen mërgojnë në Argjentinë, rikthehen në Shkodër, ku ai vdes në moshën 91 vjeçare, pasi ia kushtuar gjithë shekullin e tij. Pjetër Gjoka lindi në Ulqin, erdhi 2 vjeç në Shkodër, ku kaloi fëmijërinë dhe rininë. Jetën dhe karrierën i vazhdoi e i mbylli në Tiranë pa u shkëputur asnjëherë nga Shkodra dhe shkodraniteti i tij. Roza Xhuxha (Anagnosti) lindi më 1943 në Tiranë në një familje mirditore. Një vjeçe vjen në Shkodër ku transferohet babai oficer. Ka një karrierë të pasur në “Migjeni”, para se të vendoset në Tiranë. Tinka Kurti lindi në Sarajevë më 1932, në moshë të re vjen në Shkodër, ku arrin majat e karrierës. Aktorja e regjisorja Violeta Sekuj vjen me martesë në këtë qytet, të cilit ia kushton jetën dhe karrierën.

Është pothuaj rregull: emrat e mësipërm, me ndonjë përjashtim, kanë ardhur nga jeta tejet e gjallë amatore e qytetit, janë formuar në teatër dhe kanë krijuar secili shkollën e vet teatrore. Nuk janë të pakët ata që kanë ardhur nga një fushë krejt tjetër e jetës. Bep Shiroka është nisur për piktor dhe është bërë aktor. Fatbardh Smaja është nisur për muzikant dhe është shkolluar për këtë, pastaj e ka bërë për vete përfundimisht teatri. Edhe i ati Hasan Smaja e nisi jetën si muzikan me një orkestër të vogël popullore, si sportist me një skuadër futbolli. Paulin Preka e nisi jetën si mekanik, e vazhdon si marangoz, pastaj kalon në jetën amatore e profesioniste teatrore. Pjetër Gjoka  më 1933 është mbrojtës në ekipin e futbollit “Vllaznia”, më 1934 është kampion kombëtar dhe përfaqësues i vendit në Olimpiadën Ballkanike të Athinës në trehapësh dhe në stafetë. Është edhe muzikant, pjesëtar i bandës së qytetit në instrumentin e kornos. Në vitet ’30 është ndër  tenorët më të mirë të kohës, saqë Tefta Tashko Koço është e interesuar për një bursë për Konservator. Por pasioni për teatrin triumfon ndaj të gjitha pasioneve. Preng Lëkunda e nisi jetën si endacak nëpër çadrat e ciganëve, edhe pa bukën e gojës. Dhe nuk dihet si erdhi tek Teatri. Me fëmijëri tragjike është edhe Serafin Fanko. Ai niset për balerin. Madje në Asamblin e Ushtrisë. Largohet prej andej dhe merret me punë të tjera. Pastaj vjen shkollimi i lartë në vend dhe jashtë vendit për aktor. Zef Deda e nis jetën si tornitor në Vaun e Dejës, e zbulon Gjosho Vasija si artist dhe jeta e tij merr tjetër rrugë.

***

Djepi i kulturës sonë kombëtare, kryeqyteti antik ilir, qyteti shqiptar më iluminist, Shkodra kishte tri institucione me të cilat e sfidonte statusin e provincës: Institutin e Lartë Pedagogjik, Teatrin “Migjeni”, klubin “Vllaznia”.

Xhahid Bushati, me librin për teatrin “Migjeni” hedh dritë në një nga këto përmasa. Ndërkohë ai nuk ka pushuar dhe nuk pushon së kërkuari dhe së punuari për të ndriçuar në të gjitha përmasat gjeninë shkodrane.

SHTËPISË SIME – Poezi nga LUIGJ GURAKUQI

Te ti m’fluturon mendimi, o shpiza ime,
Kur m’vjen ma i thershëm malli me m’trazue;
Te ti ku nisa s’parit me jetue,
Ku çela sytë, ku qava e pata gëzime.

Gjithherë të kam ndërmend ty, ku lash kujtime
T’ambla, që jetën m’pa një ditë gazmue;
Vetëm n’dhe t’huej, tue vuejt tue largue,
T’kam n’zemër ty, ku ndieva t’parët dashtnime.

Ai skaj ma i vogli yt, ma e vogla skut
E jotja, ka për mue aq ambëlsi
Sa veç kujtimi yt shpirtin m’kput,

E kur me ra shkoj n’mbramje, me mjeri
Ty t’mendoj, e i thom vedit: oh â ma i but
Shtrati e ma i kandshëm pushimi n’shpi.

Legjenda e princit të lig – Përrallë nga HANS CHRISTIAN ANDERSEN – Përktheu Skënder Buçpapaj

Dikur ishte një princ i lig dhe krenar, mendimi i vetëm ishte të pushtonte të gjitha vendet e botës dhe të mbillte frikë vetëm me emrin e tij; ai përparoi me hekur dhe zjarr; ushtarët e tij shkelën grurin në fusha, u vunë flakën shtëpive të fermerëve në mënyrë që flakët e kuqe të lëpinin gjethet e pemëve dhe frutat të vareshin të shkrumbuara nga degët e zeza dhe të djegura. Shumë nëna të varfra u fshehën me fëmijët e tyre lakuriq në gjinjtë e tyre prapa mureve të nxira, ushtarët i kërkuan ata dhe kur i gjetën me fëmijët, gëzimi i tyre djallëzor u shfrenua; shpirtrat e këqij nuk mund të kishin bërë më zi! Por princi mendoi se gjithçka po shkonte siç duhej; dita ditës fuqia e tij rritej, emri i tij i frikësonte të gjithë dhe fati e shoqëroi atë në të gjitha ndërmarrjet e tij. Nga qytetet e pushtuara ai mori arin dhe thesaret e mëdha; pasuria po grumbullohej në kryeqytetin e tij si nga askund tjetër. Pastaj ai kishte kështjella, kisha dhe harqe të mrekullueshme të ndërtuara dhe kushdo që i shihte ato mrekulli thërriste: “Çfarë princi i madh!” Por ai nuk mendoi për mjerimin që kishte shkaktuar në vendet e tjera, ai nuk dëgjoi vajtimet dhe rënkimet që dolën nga qytetet e djegura.
Princi admironte arin e tij, shikonte ato ndërtesa të mrekullueshme dhe mendonte si turma: “Çfarë princi i madh! Por unë duhet të kem më shumë, shumë më shumë! Asnjë fuqi nuk mund të jetë e barabartë me timen, kurrsesi nuk mund të jetë më e madhe!”. Kështu që ai u shpall luftë të gjithë fqinjëve të tij dhe i fitoi të gjitha luftërat. Pastaj ai i bëri mbretërit e mundur të tërhiqeshin zvarrë në qerren e tij me zinxhirë ari ndërsa kalonte nëpër rrugë; dhe kur ai ishte në tryezë, mbretërit duhet të shtriheshin në këmbët e tij dhe në këmbët e të gjithë oborrtarëve të tij dhe të merrnin copat e bukës që u ishin hedhur.
Princit atëherë statuja e tij iu ngrit në sheshe dhe në kështjellat mbretërore, po, ai donte ta vendoste edhe në kishë, përpara altarit të Zotit, por priftërinjtë i thanë: “Princ, ti je i madh , por Zoti është më i madh, ne nuk guxojmë! ».
“Mirë!” bërtiti princi i lig. “Atëherë edhe unë do ta mund edhe Atë!” Dhe me krenarinë e zemrës dhe plot çmenduri ai ndërtoi një anije me të cilën mund të udhëtonte nëpër ajër, një anije shumëngjyrëshe si bishti i palloit dhe e mbjellë me mijëra sy, por secili sy ishte në të vërtetë një tytë arme ; princi ishte ulur mu në mes të anijes: i duhej vetëm të shtypte një sustë dhe menjëherë shpërthenin mijëra plumba, dhe në çast tytat rimbusheshin e rimbusheshin papushim. Njëqind shqiponja të forta e tërhoqën anijen dhe në këtë mënyrë ai fluturoi drejt diellit.
Toka ishte tani larg, fillimisht, me malet dhe pyjet, dukej si një fushë e lëruar, ku gjelbërimi shfaqet midis kufomave të hequra; më vonë i ngjante një harte të rrafshët dhe shumë shpejt u mjegullua plotësisht nga mjegulla dhe retë. Shqiponjat fluturuan gjithnjë e më lart, atëherë Zoti dërgoi një nga engjëjt e tij të panumërt, princi i lig gjuajti një mijë plumba drejt tij, por plumbat kërcenin si breshër në krahët e engjëllit nga doli një pikë gjaku, vetëm një, pikoi nga krahu i bardhë , ra në anijen në të cilën ishte princi dhe u ngul mbi të; ajo pikë gjaku peshonte më shumë se njëqind kuintalë plumb dhe e tërhoqi anijen drejt tokës me shpejtësi të madhe. Krahët e fortë të shqiponjave u thyen, era fryu rreth princit, retë fërshëllyen pranë tij, retë e formuara nga tymi i qyteteve që digjen dhe krijojnë imazhe kërcënuese: oktapodë shumë të gjatë që shtrinin tentakulat e tyre drejt princit, duke lëvizur gurë, dragonj që villnin zjarr. Princi u shtri gjysmë i vdekur në anijen e cila më në fund u përplas në degët e trasha të pyllit.
“Unë do ta mund Zotin!” tha ai. “Unë jam betuar dhe vullneti im duhet të përmbushet!”
Për shtatë vjet ai ndërtoi anije të reja për të lundruar në ajër, përgatiti shigjeta të sajuara me çelik të fortë sepse donte të hidhte në erë kështjellën e qiellit. Nga të gjitha territoret e tij ai mblodhi ushtri të mëdha që mbuluan hapësirën e disa miljeve, kur ata u rreshtuan krah për krah. Ata hipën në anije, vetë princi po hypte në anijen e tij, kur Zoti dërgoi një tufë mushkonjash, vetëm një tufë të vogël që gumëzhinte rreth princit dhe e goditi atë në fytyrë dhe duar. Ai nxori shpatën e tij me inat, por ai vetëm preu ajrin e zbrazët dhe nuk mundi të godiste mushkonjat. Pastaj urdhëroi që të sillnin qilima të çmuar dhe t’i mbështoîllnin rreth tij: kështu që asnjë mushkonjë nuk mund ta shponte me pickimin e saj. U bë ashtu siç kishte urdhëruar ai. Por një mushkonjë e vetme u fut nën qilimin e parë, u zvarrit deri në veshin e princit dhe e thumboi; digjej si zjarr dhe helmi i ngjitej në tru; princi grisi qilimat, grisi rrobat dhe vallëzoi i zhveshur përpara ushtarëve brutalë, të vrazhdë, të cilët tani qeshnin me princin e çmendur që donte të sulmonte Zotin dhe ishte mundur nga një mushkonjë e vogël.

KËNGA E ËNDRRËS SË MURUAR ( Poetit Atdhe Geci ) – Poezi nga Rexhep Kasumaj

Atdhe Geci,
poet i rrëkesë së gjakut dhe
vesës së luleve,
i ëndrrës së muruar
dhe, ah, dhimbjes së bukur,
i ofshâmës së atdheut dhe
Poet sallonesh të frakut të zi,
i kujtesës së ndaluar
dhe heshtjes së varreve,
i dashurisë fluturake dhe
shiut, i shiut të vjetër, të trishtë…
Poet i pritjeve të muzgëta
dhe i takeve që s’vijnë,
i lirisë së pazot dhe fëmijës
në udhë bote,
kryengritës kundër zotave
tokësorë
dhe i lutjes për mrekullinë tek humbet
në udhëkryq,
poet i lumnive të vogla
ngujuar në Urnën
mbi komodinë dhe
agut kur dielli mungon…
Poeti i vargut mnerisht të bukur
t’besës së prerë dhe
pëndesës mashtruese
në Altar,
poet i udhëtimit të shkronjave
drejt zemrës
dhe qiellit të mugët,
zogjëve shteghumbur
ndër rè e stuhira dhe korbave të zisë,
pastaj…ngaherë…
Poet i Fjalës së Muzës që, ah,
ndonjëherë, mëkaton…
dhe pra, këndoje këngën
e ëndrrës së muruar,
ti, përjetësisht poet kryengritës
i Dhèut të Arbërit!…
Rexhep Kasumaj,
Berlin, mesfror, 2021

Lejlekët – Përrallë nga HANS CHRISTIAN ANDERSEN

Në shtëpinë e fundit të një fshati kishte një fole lejleku. Nëna lejleke qëndroi në fole me katër lejlekët e saj, me sqepat e vegjël të zinj, të cilët më pas do të bëheshin të kuqërremtë. Jo shumë larg folesë, po mbi çati, qëndronte në këmbë dhe i palëvizur, lejleku baba, i cili kishte ngritur një këmbë, për të qenë pak i parehatshëm pasi ishte në roje. Dukej sikur ishte gdhendur nga druri, ishte aq i qetë, “është shumë bukur që gruaja ime ka një roje pranë folesë!” mendoi ajo “dhe ata nuk mund ta dinë se unë jam burri i saj, ata vërtet mendojnë se ai është punësuar për të qëndruar këtu. Kjo bën një përshtypje të mirë!” dhe ndërkohë vazhdoi të qëndronte atje në njërën këmbë.
Në rrugë një grup djemsh po luanin, duke parë lejlekët, një nga më të guximshmit këndoi këngën e vjetër të lejlekëve, por ata e kënduan atë me këto fjalë, siç e kujtoi Baba Lejleku
Lejleku, lejleku i guximshëm fluturo, fluturo në shtëpinë tënde, gruaja jote është në fole me katër lejlekët, i pari do të varet, i dyti do të goditet me thikë, i treti do të digjet, i katërti do të ripet!
“A keni dëgjuar se çfarë këndojnë djemtë?” bërtiti lejleku i vogël “ata thonë për ne se do të varemi dhe do të digjemi!”
“Ju nuk duhet të shqetësoheni!” nënë lejleku i siguroi ata “mos i dëgjoni ata dhe asgjë nuk do të ndodhë”.
Por djemtë vazhduan të këndonin dhe treguan lejlekët me gishtërinjtë e tyre, vetëm një djalë me emrin Peter tha se ishte keq të tallesh me kafshët dhe ai nuk donte të këndonte me të tjerët. Në ndërkohë, lejleku nënë ngushëllonte lejlekët e vegjël. “Mos u shqetëso për këtë!” përsëriti ai “shiko sa i qetë është babai yt, dhe qëndron në njërën këmbë!”
“Kemi shumë frikë!” thanë lejlekët e vegjël, duke fshehur kokën në fund të folesë.
Të nesërmen djemtë u mblodhën përsëri për të luajtur dhe, duke parë lejlekët, ata filluan përsëri me këngën e tyre:
I pari do të varet, i dyti do të digjet! …
“A do të varemi dhe do të digjemi vërtet?” – pyeti lejleku i vogël.
“Sigurisht që jo!” i siguroi ata nëna e tyre “ju duhet të mësoni të fluturoni, dhe unë do t’ju mësoj. Pastaj do të shkojmë në livadh dhe të vizitojmë bretkosat që do të përkulen para nesh, duke thënë “ishte ishte”, dhe ne do t’i hamë. Do të jetë qejf! ”
“Dhe pastaj?” – pyeti lejleku i vogël.
‘Atëherë të gjithë lejlekët që janë në këtë vend do të mblidhen dhe ne do të fillojmë manovrat e vjeshtës; në atë moment duhet të dini të fluturoni mirë: është shumë e rëndësishme, sepse gjenerali do t’i therë me sqep ata që nuk mund të fluturojnë, kështu që përpiquni të mësoni kur fillojnë ushtrimet.”
“Atëherë ne do të theremi, siç thonë djemtë, dhe ata do t’i dëgjojmë tashi ta thonë përsëri!”
“Më dëgjoni mua dhe jo ata!” u tha nëna lejlek. «Pas manovrave të mëdha ne do të fluturojmë për në vendet e ngrohta – po, shumë larg nga këtu, përtej maleve dhe pyjeve. Ne do të fluturojmë për në Egjipt, ku ka shtëpi prej guri trekëndëshe, të cilat përfundojnë në një pikë përtej reve: ato quhen piramida dhe janë më të vjetra sesa një lejlek mund të imagjinojë. Ka një lumë të tejmbushur, kështu që vendi është plot me këneta. Ne do të shkojmë te kënetat për të ngrënë bretkosat.”
“Oh!” – thirri lejleku i vogël.
«Po, është vërtet e bukur! të gjithë ju nuk do të bëni gjë tjetër vetëm se do të hani gjithë ditën, dhe ndërkohë që ne jemi do të jemi aq mirë atje, në këtë vend nuk do të ketë një gjethe të vetme në pemë, këtu do të jetë aq ftohtë sa retë do të ngrijnë dhe do të thyhen, duke rënë në tokë në copa të vogla të bardha. “. Sigurisht që ajokishte parasysh borën, por nuk mund ta shpjegonte më qartë.
“A do të thyhen edhe djemtë e këqij nga të ftohtët?” – pyeti lejleku i vogël.
“Jo, ata nuk do të thyhen nga të ftohtët, por do të vuajnë shumë. Dhe ata do të duhet të qëndrojnë të mbyllur në një dhomë të errët. Ndërkohë, ju do të fluturoni për në një vend të huaj, ku ka lule dhe ku shkëlqen dielli.”
Koha kishte kaluar tashmë dhe lejlekët ishin rritur e ishin në gjendje të qëndronin në fole për të parë përreth, dhe Bab Lejleku vinte çdo ditë me bretkosa të këndshme, gjarpërinj të vegjël dhe të gjitha gjërat e tjera të mira që lejonin lejlekët dhe ai mund t’i gjente.
Sa kënaqësi ishte të shihte marifetet që bënin vogëlushet. Ai vinte kokën te bishti dhe bënte guatjen e një bretkocë peme me sqepin e tij, dhe pastaj ai u tregoi atyre histori rreth kënetës.
“Epo, tani duhet të mësosh të fluturosh”, tha një ditë lejleku nënë dhe të katër lejlekët duhej të ngjiteshin në çati; oh, si tundeshin mbi këmbet e tyre dhe përpiqeshin të gjenin ekuilibër me krahët e tyre! dhe gjithsesi ata ishin gjithmonë në prag të rrëzimit.
“Shikoni si e bëj unë”, tha nëna, “ju duhet të mbani kokën tuaj kështu, dhe këmbët tuaja ashtu! nje dy! nje dy! kjo është ajo që do t’ju ndihmojë në jetë! ” dhe kështu fluturoi për një kohë, dhe lejlekët bënë një kërcim shumë të vështirë dhe bum! ata u gjendën në tokë, sepse prapanicat ishin shumë të rënda.
“Unë nuk dua të fluturoj” tha një lejlek dhe u strehua në fole. “Unë nuk kam në mendje të shkoj në vendet e nxehta!”
“Atëherë ti do të qëndrosh këtu dhe do të ngrish akull deri në vdekje kur të vijë dimri!” Dëshiron që djemtë të vijnë dhe të varin, ose të djegin ose të therin? Tani do t’iu telefonoj! ”
“Jo, jo!” bërtiti lejleku dhe u hodh përsëri në çati pranë të tjerëve, ditën e tretë ata tashmë dinin të fluturonin pak dhe kështu ata menduan se mund të rrinin pezull në ajër, por kur u përpoqën, bum! ata ranë dhe u desh të fillojnë të lëvizin përsëri krahët e tyre. Në atë moment djemtë nga rruga erdhën dhe kënduan këngën e tyre:
Lejleku, lejleku i guximshëm ….
“A mund të fluturojmë poshtë dhe t’u nxjerrim sytë?” – pyeti lejleku.
“Jo, harroje!” u përgjigj nëna. “Më dëgjoni mua. Është shumë më e rëndësishme! një dy tre! tani fluturojmë në të djathtë, një – dy – tre!, tani fluturojmë në të majtë, rreth oxhakut. Shume mire! Përplasja e fundit e krahëve ishte e drejtë dhe e bërë mirë, kështu që nesër mund të vish me mua në kënetë. Do të ketë familje të tjera lejlekësh, shumë të respektueshme, me fëmijët e tyre: më tregoni që jeni më i sjellshëm; dhe mbajeni kokën lart, sepse është mirë dhe na rrit konsideratën “.
“Por a nuk duhet të hakmerremi me ata djem të këqij?” – pyeti lejleku.
“Lërini të bërtasin çfarë të duan. Ju do të fluturoni drejt reve dhe do të jeni në vendin e piramidave kur ata të jenë në të ftohtë dhe nuk do të ketë një gjethe jeshile ose një mollë të vetme! ”
“Por ne duam të hakmerremi!” i pëshpëritën lejlekët e vegjël njëri-tjetrit dhe ndërkohë ata bënë prova fluturimi përsëri.
Nga të gjithë ata fëmijë rruge më mizori ishte ai që kishte filluar të këndonte, dhe ai ishte shumë i vogël, nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç; por lejleku i vogël besonte se ai ishte mbi njëqind vjeç, pasi ai ishte shumë më i gjatë se prindërit e tyre; çfarë dinin ata se sa fëmijë dhe të rritur mund të ishin? Hakmarrja e tyre duhej të godiste atë djalë, sepse ai kishte filluar dhe nuk u ndal më. Lejlekët ishin shumë të irrituar dhe duke u rritur ata vendoseshin gjithnjë e më me dëshirë; në fund nëna duhej të premtonte se do të hakmerreshin, por ajo donte të priste deri në ditën e fundit të kaluar në atë vend.
“Ne së pari duhet të shohim se si i bëni provat e fluturimit, nëse bëni një gabim dhe gjenerali ju fut sqepin në gjoks, atëherë djemtë do të kishin të drejtë në një farë mënyre. Do ta shohim!”
“Do ta shohësh”, i tha lejleku dhe iu kushtua provave; ata praktikonin çdo ditë dhe mësonin të fluturonin me aq lehtësi dhe hir sa ishte kënaqësi t’i shikoje.
Erdhi vjeshta: të gjithë lejlekët filluan të mblidhen për të fluturuar në vendet e ngrohta, kur këtu ka dimër. Çfarë manovrash! Ata duhej të fluturonin mbi pyje dhe fshatra, vetëm për të treguar aftësitë e tyre, sepse ishte një udhëtim i shkëlqyeshëm që ata do të bënin. Lejlekët fluturonin me aq hir të arrtur “shkëlqyeshëm në vendin me bretkosa dhe gjarpërinj”. Ishte hapësira më e lartë dhe bretkosat e gjarpërinjtë mund të haheshin, dhe ashtu bënë lejlekët.
“Tani mund të hakmerremi!” thanë ata.
“Sigurisht!” u përgjigj nëna. «Mendova një hakmarrje të drejtë! Unë e di se ku është pellgu, ku të gjithë fëmijët e vegjël janë duke pritur për lejlekët t’i çojnë tek prindërit e tyre. Këto foshnje të dashura flenë dhe ëndërrojnë gjëra të bukura që nuk do t’i ëndërrojnë më kurrë. Të gjithë prindërit i duan ato foshnje të bukura dhe të gjithë fëmijët duan një vëlla ose motër të vogël. Tani do të shkojmë në pellg dhe do t’i sjellim një foshnjë çdo djali që nuk e këndoi atë këngë të keqe dhe qeshi me lejlekët, ndërsa ata që e bënë nuk do të marrin asgjë .”
“Por çfarë do t’i bëjmë këtij djali të keq që i pari filloi të këndonte?” bërtiti lejleku i vogël.
“Në pellg është edhe një fëmijë i vdekur, i cili vdiq sepse ëndërronte shumë; do ta çojmë te ai djalë, kështu që ai do të qajë, sepse i sollëm një vëlla të vogël të vdekur; ndryshe nga ai djaloshi i bukur që tha: “Është keq të tallesh me kafshët!” nuk e ke harruar, apo jo? të gjithë do të quheni Pjetër! ”
Dhe kjo ishte gjithçka, dhe të gjithë lejlekët u quajtën Pjetër, dhe kështu quhen edhe sot./ Skënder Buçpapaj

Joyce-i ynë! – Nga Bajram SEFAJ

 

 

 

(Fragment,  shkëputur nga romani i sapo botuar me titull “Zemër”, faqe 60/62, botim i ShB “Faik Konica”, Prishtinë -2020).

———————-

                       

Vazhdoj edhe për një çikë, bashkëbisedimin me Ty Mbretëreshe, se u kënaqa (“tuj u kënaqë”!), kur të kam xhan!

Ndërhyrje në paranteza (Hej, më shkruan Ajo: edhe unë ty të kam xhan, dhe vazhdon: kujdes shëndetin! Përdori sa më mirë mundësitë që të jep ai vend aty. Këtej është katastrofë gjithçka. Kam shumë trishtim për rrethanat në të cilat duhet të zgjidh problemet e shëndetit, për çdo ditë për prindërit e mi etj. Përqafime!).

Ndërrojmë temë, e Ndritshmja ime!

Sa herë që më ka rastisur të lexoj libër, proze a poezie, jo të rëndomtë, të veçantë, asi që, sikur kanë pikur nga qielli, si, bie fjala, romanin me titull “Uliksi”, të shkrimtarit irlandez, J. Joyce, apo cilëndo vepër letrare të shkrimtarit shqiptar A.-C. Kyqyku., (jeton dhe krijon në Bukureshtin e V. Eftimiut tonë!), jam gëzuar. Tash vjen Ti, një befasi e pashoqe dhe ndjellëse shprese e letrave shqipe!

Nga ana tjetër, shtrohet pyetja: pse lexuesit shqiptarë, kosovarë, në të parin rend, janë thyer e drobitur, janë bërë copë e grimë, badihava, pas J. Joyce-it, pas Uliksit dhe veprave të tjera të tij, më kot paskëshin vrapuar pas tij, kur e paskan pasur aq afër Joyc-in e tyre en person, R. M. Shalën dhe veprën e tij monumentale letrare, romanin voluminoz “ANONIM – Profan Wor(l)d”, me 457 faqet e dendura të tij. Botues neokultura, botimi i parë, Prishtinë, 2015.

Ja tek e keni. Lexojeni. Binduni!

Fletët e këtij libri mbështjellin shumë gurë margaritarësh. E për vlerën e gurëve të çmuar, nuk merr bojë të shkruhet dosido.

*

Ju, dhe ata krijues të mirë si ju, më bëni të palumtur, të mjerë më bëni, madje më ngushtoni dhe më çoni në zgrip pesimizmi, saqë, shpesh më ikën mendja, kurrë më të mos marr penë në dorë!

Të mos shkruaj kurrë, asgjë të mos shkruaj!

Sa herë lexoj diçka të bukur, origjinale, të freskët dhe të veçantë, Zonjë e nderuar, po aq herë përjetoj zhgënjim të madh: Pse edhe vetë nuk i takoj atij qarku, asaj lagjeje, atij vargu.

Shumë herë mendoj e reflektoj, madje, se pas një libri aq të mirë, sikurse është, bie fjala, romani “Casa – Casino”, nuk ka kurrfarë kuptimi të shkruhet më roman, ose, së paku, kjo punë duhet të pushojë për një kohë të gjatë, për aq kohë sa atje, në horizont, të shfaqet ndonjë vepër e re, letrare, në këtë rast.

Jo, kurrgjë nuk ndodh.

Sivëllezërit e mi e futin kryet nën sini. Bëhen sikur s’kanë parë, as kanë dëgjuar asgjë!

Bëhen shurdhmemecë!

I fusin veshët në lesh. Të patrazuar, vazhdojnë të lexojnë e të shkruajnë turli-turli librash.

Nënshkruaj dhe evidencoj, në entin a institutin gjegjës e deponoj dhe e regjistroj, se ata që nuk dinë hiç të shkruajnë, shkruajnë shumë, tepër shumë, ata që dinë të shkruajnë mirë, shkruajnë pak e më rrallë. Me grat shkruajnë. Ata që dinë të shkruajnë mirë, ose nuk shkruajnë fare, ose shkruajnë rrallë e për mall!

E, kur shkruajnë, dridhet toka!

Shembet bota!

Opinioni bëhet lëmsh. Botuesit janë në panik e në luftë për primat!

MAJAKOVSKI, REJA ME PANTALLONA – Poemë nga KONSTANDIN DHAMO

 

 

Kështu më ndërmendesh,

Vladimir Majakovski :

Shtatlartë,me anatomi përfekte

Gjithë proporcione harmoniozë,

Origjinal i gjallë

Monumentesh !

 

Kështu më ndërmendesh,

Vendosur në sfondin

E një pllakati masiv,

Horizontin politik të Revolucionit,

Ku shkruheshin me germa të kuqe

Kapitale

Strofat e poemave të tua agjitative,

Me vargjet fitila,

Rimat dinamit.

 

Poemat e tua

Me refrenë devizash entuziaste

Për Jetën e Re komuniste sovjetike.

Si t’ishe një radiostacion lëvizësh

I deklamoje vetë shpesh poemat

Ngado që shkelje :

N’uzina dhe universitete,

Në mole dhe reparte të ngjeshur ushtarakë,

Madje dhe shesheve

Përballë turmave frenetike.

 

Ç’mishmash e ç’katrahurë,

Ç’trazim e ç’pështjellim !

Aqsa kishte kaos bot’e tërë

Kishte vetëm në Rusi.

 

Luftë me Gjermaninë

Me Japoninë e largët luftë;

Luftë në Krime më Turqinë,

Dhe Francën e Anglinë,

Përkrahëset e saja;

 

Luftë

Me luftën civile !

Miliona rusë

Kundër miliona rusëve ;

Të vrarët

S’i numëronte më askush,

Niva e Kuqe e gjakut

Jetën shteronte frikshëm…

 

Po,Majakovski :

Kush nuk hipte

E zbriste nga tribunat

E dekoruara me flamuj e parulla

Përplot germa që të përhiheshin

Ndër sy

Si thnegla agresive pickuese.

Por edhe nga tribunat e improvizuara

Mbi një pirg dheu,

Apo mbi kullën e një autoblinde,

Kush nuk zbriste

E kush nuk hipte,

Nga ku hidheshin spërkat

E pështymave të retorikës

Së shpifur

Të programeve për prosperitet

E barazi shoqërore…

 

Lloj – lloj t’eturish, Majakovski

Si gjithmonë,për lavdi e pushtet,

Që kur zotat, krenarisht

Qënien njerëzore

Mbi dy këmbë e ngritën

Vertikalisht.

 

Lloj – lloj të pandalshmish,

Deri edhe ca të palarë si endecakë

Me mjekra të kërleshura

Dhe kasketa turlisoj;

Ca fytyrëdeformuar nga grimasat

E tepruara,të cilët tek i ndiqje

Të kujtonin “kokat groteske “

Të Leonardo da Vinçit.

 

Djathtas – majtas,

Para – mbrapa

Turreshin rrugëve të koklavitura

Punëtorët e rebeluar,

Ata,që kishin mundur të shpëtonin

Pa u lidhur me zinxhirë

Nga pronarët e tyre kapitalistë

Pas tornove dhe agregatëve, në fabrika.

 

Sot t’urrenin të gjithë,

Të duatrokisnin të gjithë të nesërmen;

Pazlli i ecejakëve

Surrealizëm tragjik !

 

Dhe Aurora,

Kryqëzori mitik i koracuar,

Që u kthye gjysmë i mbytur

Nga beteja detare,

Me çarje në bord dhe kuvertë

Të zhuritur,

Mu si kështjellat e rrahura nga gjylet,

 

Auroea, Majakovski,

Krenaria e flotës perandorake cariste,

E para Pallatin e Dimrit,

Qëlloi,

Duke lajmëruar me gjëmime

Rënien e një Epoke,

Ardhjen e një tjetër Epoke…

 

Aurora

Aurora,

Këtë kerë

Nën urdhrat

E Leninit

Të Revolucionit !

 

Po,Majakovski !

Që në themele

U trand Rusia,

A thua se zjarri

S’u ndez mbi dhe,

Por thellë,që nga vlimet e skëterrshme

Të zemrës së tokës

Që rreh ende…

 

Zhbërjen e kombit,veç

Askush ndër mend s’e kaloi;

Shpirti rus

I vetmi autoritet

Hyjnor !

 

Si shpërtheve,Maja,

Atë ditë që,ndoshta kishe vënë

Kravatën prej flete alumini

Vetëtitëse dhe të përkulshme

Si e prerë nga krahu i një avioni ?

 

“Unë dhe Napoleonin do ta lidh

Dhe, pas do ta tërheq si kone …”

 

Nga dorashka jote e hedhur,

Me sarkazëm ndoshta

Strategu i madh

Do të nënqeshte,

Duke mos harruar të të kujtonte

Se,ushtria e tij

Konsiderohej

“Një qytetërim në marshim…”

 

Po,paraprijësi Majakovski !

Edhe pas njëqind vitesh,

Qartësisht me ty

Mund të bisedohet,

Pa le të jetë shkruar

E stërshkruar

Historia e nxehtë

E Revolucionit !

 

 

I pikëllueshëm,Maja,

Distiku që shkroi

Për jetën dhe vdekjen

Me gjakun e tij të ngrohtë

Esenini ,

Pak para se të vetëvritej,

Distikun si një sentencë

Mbi Portën e gurtë të Ferrit…

 

Vite më pas,

Pikëllues dhe distiku yt,

Si tekst i kursyer telegrami,

Kur iu përgjigje qortrueshëm

Eseninit.

 

Mësimi postum që i dhe

Poetit lirik të beriozkave,

As ty vetë s’të bëri punë;

Njëlloj finalen, Maja,

Me vetëvrasje

E mbylle dhe ti,

Pas pesë vitesh …

 

Lilja,Lili,Lilik…

Siç e thërrisje ti variushëm,

Në varësi të humorit,

Dashnorja jidish,e bukura seksi

Dhe,e mençura Lilja Brik,

Që të çmendi zjarrmërisht,

Siç budallallepsi dhe burra të tjerë…

I tregoi botës,ashtu e ftohtë,

Filozofikisht e ftohtë

Se…

Këmbëza e pistoletës tënde

Dymbëdhjetë vite rresht

U tërhoq e u tërhoq

Nga gishti yt Tregues,

Sa herë pësoje zhgënjimin e radhës

Ti,Flamuri i Flaktë

I Revolucionit !

 

Ju, poetët dëshmorë

Të Nëmtëqindëshit :

Lermontovi

Esenini

Cvetajeva

Ti,Majakovski

E kush jo !

Jeni një obelisk lavdie !

 

Ç’histori vallë mund të dëshmohet

Pa emrat tuaj në ballë ?

Shkalla e Jakobit

Të ngjiste në Parajsë;

Obelisku juaj

I pikëzuar te Dielli,

Të ngjit

Te panteoni i Poezisë !

 

E kush s’u zhgënjye, Maja,

Nga revolucionet ?

Por konteksti rus

M’ofron shembullin tipik klasik

Të Marinarëve të Kronshtadtit.

 

Dy herë liderin Lenin në pushtet

E rikthyen ata,

Por në fund i vranë mizorisht

Si t’ishin armiq t’urryer

Të Revolucionit,

Kur marinarët legjendarë Partisë

I kërkuan të mbante

Premtimet…

 

Ti,Majakovski,

I zhgënjyeri i madh nga Revolucioni

Patjetër e di,

Që formula bazë solide

Parti- Lenin

Solli rresht derivatet

Parti – Stalin

Parti – Hitler

Parti – Mao Ce Dun

Parti – Fidel

Parti – Enver

Parti – Kim Jong Un

Et cetera,et cetera…

 

Sa recidiviste,Maja,

Paskësh qenë historia !

 

Maja,Majakovski

Përplot energji të pashtershme

Shpërthyese,

Si t’ishe një reaktor atomik ,

Të kanë imituar mbarë botës

Dhe plaçkitur të kanë hajdutërisht.

E më pas,

Të kanë sharë e kritikuar

Në kor,të gjithë kodoshët…

 

Ah,por si ta mbërrinin

Tonusin tënd ata;

Mentalitetin tënd ndërplanetar

Ku ta gjenin ?

 

Imituesit mbesin

Veçse të veckël…

 

Përshëndetje Maja

Futurist ;

Revolucionari Majakovski,

Përshëndetje !

2016

Baulja fluturuese – Përrallë nga HANS CHRISTIAN ANDERSEN

Dikur ishte një tregtar, aq i pasur saqë mund të kishte mbuluar të gjithë rrugën kryesore dhe madje edhe një rrugicë anësore me monedha argjendi, por sigurisht që nuk e bëri: ai dinte të përdorte paratë e tij; nëse jepte një monedhë, ai merrte dhjetëfish; ai ishte me të vërtetë një tregtar dhe si i tillë ai vdiq.
Djali trashëgoi të gjitha paratë e tij dhe jetonte i shkujdesur, shkonte nëpër ahengje çdo natë, ndërtonte balona me kartëmonedha dhe hidhte monedha ari në liqen për t’i kërcyer në vend që të përdorte gurë, sepse natyrisht paratë kërcejnë më mirë; në fund i kishin mbetur vetëm katër shilinga, nuk kishte rroba përveç një palë pantofla dhe një kostum të vjetër zhele. Miqtë e tij nuk u interesuan më për të, pasi nuk mund të dilnin më në rrugë së bashku; vetëm njëri prej tyre, i cili ishte i mirë, i dërgoi një baule të vjetër dhe i tha: “Bëji bagazhet!” E lehtë për ta thënë! por ai nuk kishte asgjë për të paketuar, kështu që ai e futi veten në bagazh.
Ishte një bagazh i çuditshëm. Sapo u shtyp kopsa, bagazhi u ngrit dhe fluturoi; dhe në fakt ai filloi të fluturonte përmes oxhakut lart mbi re, gjithnjë e më larg. Baulja kërciste dhe ai kishte frikë se do të prishej, në atë rast ai do të kishte bërë një fluturim të mirë! Zoti na ruajt! dhe kështu ai arriti në tokën e turqve. Ai e fshehu bagazhin në pyll nën gjethet e thata dhe shkoi në qytet; atje ai mund ta bënte këtë, sepse në Turqi të gjithë shkonin rreth e rrotull, si ai, me një rroba të vjetra dhe pantofla. Kështu që ai takoi një infermiere me një djalë. “Dëgjo, infermiere turke!” tha ai: “E kujt është ajo kështjellë e madhe afër qytetit, e cila ka dritare kaq të larta?”
“Vajza e mbretit jeton atje!” kjo qe përgjigjja” – thuhet se është shumë e pakënaqur për shkak të një të fejuari, dhe kjo është arsyeja pse askush nuk mund të shkojë tek ajo nëse mbreti dhe mbretëresha nuk janë gjithashtu atje”.
“Faleminderit!” iu përgjigj djali i tregtarit dhe kështu ai u kthye në pyll, u fut në baule, fluturoi te çatia dhe më pas shkoi përmes dritares te princesha.
Princesha ishte shtrirë në divan dhe po flinte, ajo ishte aq e bukur sa djali i tregtarit nuk mund të mos e puthte; ajo u tremb shumë, por ai i tha se është perëndia e truqve dhe kishte zbrtur nga ajri për të, dhe ajo ishte shumë e lumtur me të.
Kështu që ata u ulën pranë njëri-tjetrit, ai i tregoi përrallë për sytë e saj: ishin liqene të bukur dhe të errët dhe mendimet notonin në to si sirena; dhe pastaj ai i tregoi asaj për ballin, i cili ishte një mal me borë plot salla të mëdha me tablo të mrekullueshme, dhe pastaj ai i tregoi asaj për mjellmën që sillte fëmijë të dashur.
Ishin histori të bukura! Pastaj ai i kërkoi asaj që të martohej me të dhe ajo menjëherë e pranoi.
“Por ti duhet të kthehesh këtu të shtunën,” shtoi ajo, “kur mbreti dhe mbretëresha janë me mua për çaj. Ata do të jenë shumë krenarë për idenë që unë do të martohem me perëndinë e turqve, por ti duhet t’u tregoni një histori të bukur, sepse ata i pëlqejnë aq shumë, mamaja ime dëshiron që ato të jenë klasike dhe të moralshme, babai im nga ana tjetër i preferon me humor, që të bëjnë të qeshësh “.
“Po, unë nuk do t’i sjell asgjë veçse një histori nuses si dhuratë!” – u përgjigj dhe pastaj ata u ndanë, por së pari princesha i dha një shpatë të veshur me monedha ari, diçka që atij i pëlqeu shumë.
Ai fluturoi larg, bleu një mantel të ri dhe u ul në pyll, duke menduar për një histori; duhej të ishte gati deri të shtunën dhe nuk ishte e lehtë.
Përfundimisht historia ishte gati, dhe ishte e shtunë.
Mbreti dhe mbretëresha dhe e gjithë gjykata e prisnin, duke pirë çaj me princeshën. Sa mirë u prit!
“Dëshironi të na tregoni një histori?” pyeti mbretëresha “por le të jetë kuptimplote dhe udhëzuese!”
“Por që gjithashtu të bën të qeshësh!” – shtoi mbreti.
“Sigurisht”, u përgjigj ai dhe filloi të tregonte. Le ta dëgjojmë edhe tani.
«Njëherë e një kohë kishte një tufë fijesh shkrepse, të cilat ishin shumë krenare që i përkisnin një familje fisnike, pema e tyre e origjinës, pisha e madhe, për të cilën ata ishin vetëm një degëz e vogël, kishin qenë një pemë e lashtë dhe madhështore e druri. Tani fijet e shkrepseve ishin në një raft midis një flake dhe një tenxhereje të vjetër hekuri dhe kështu ata filluan të tregonin për fëmijërinë e tyre. “Në kohën e viteve tona më të gjelbërta,” thanë ato “ne banonim në një pemë të gjelbër! Çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje kishim çaj diamanti, i cili ishte prej vese dhe gjatë ditës kishim rrezet e diellit, kur dielli shkëlqente . Dhe të gjithë zogjtë e vegjël na tregonin histori. Ne e dinim se ishim edhe të pasur, sepse pemët e tjera ishin veshur vetëm në verë, ndërsa familja jonë mund të përballonte rroba jeshile si në verë ashtu edhe në dimër. Pastaj erdhën disa druvarë që bënë një revolucion të madh , dhe familja jonë u shpërnda. Trungu kryesor u bë një pemë madhështore në një anije të bukur që mund të lundronte nëpër botë nëse dëshironte, degët e tjera shkuan në vende të ndryshme dhe ne na u dha detyra të ndezim dritë për njerëzit e varfër; ndërsa ne, që jemi aristokratikë, kemi ardhur deri këtu në kuzhinë “.
“‘Por mua më ndodhi në një mënyrë tjetër,” tha tenxherja prej hekuri pranë së cilës ishin fijet e shkrepseve. “Që kur kam lindur më kanë zier dhe gërvishtur shumë herë! Unë duhet të kujdesem për gjëra konkrete dhe, të them të drejtën, unë jam më e rëndësishmja e shtëpisë. Gëzimi im i vetëm është, pas drekës, të qëndroj këtu në raft e pastër në biseda me shokët tanë, por ne gjithmonë jetojmë në shtëpi, përveç kovës me ujë që futet herë pas here në oborr. Informatori ynë i vetëm është çanta e blerjeve, por që gjithnjë emocionohet kur flasim për qeverinë dhe njerëzit ; edhe ditën tjetër ishte një tenxhere e vjetër që ra nga frika dhe u thye! Kjo është një liberale, po ju them! ”
“‘Ju flisni shumë,” bërtiti urori dhe e përplasi strallin për të bërë shkëndija. “Pse nuk argëtohemi sonte?”
“” Po, le të shohim se cili prej nesh është më i dalluar! ” sugjeruan fijet e shkrepseve.
“” Jo, nuk më pëlqen të flas për veten time! ” – tha tenxherja e madhe. “Le të organizojmë një mbrëmje të vërtetë në vend të kësaj! Do të filloj: Unë do t’ju tregoj një histori që të gjithë e kemi jetuar; kështu që është e lehtë të identifikohesh me të dhe është argëtuese. Në pemët daneze të ahut përgjatë Detit Baltik … ”
“” Ashtë një fillim i bukur! ” thirrën të gjitha pjatat “me siguri do të jetë një histori e mrekullueshme”.
“” Po. Kam kaluar rininë time atje, me një familje të qetë. Mobiljet lustroheshin, dyshemeja lahej dhe perdet ndërroheshin çdo dy javë. ”
“” Sa interesante është ajo që po thua! ” tha shpluhosësja. “Ju menjëherë ndjeni se është një zonjë që po tregon! Ka një ajër kaq të pastër në fjalët e saj!”
“”Po është e vërtetë!” tha kova e ujit dhe u hodh nga gëzimi në mënyrë që uji të spërkatej në dysheme.
«Dhe tenxherja vazhdoi të tregonte dhe fundi ishte po aq i bukur sa fillimi.
“Të gjitha pjatat bashkoheshin nga gëzimi, shpluhurosësja mori pak majdanoz nga kova e rërës dhe kurorëzoi tenxheren, sepse ajo e dinte se do t’i zemërojë të tjerët, dhe ‘nëse e kurorëzoj sot’ mendoi ‘nesër ajo do të më kurorëzojë.
“” Tani duam të kërcejmë! ” bërtitën urëzat e oxhakut dhe vallëzuan. O Zot! sa i ngritën këmbët! Mbulesa e vjetër e karriges në qoshe qeshi me të madhe për t’i parë! “A mund të kurorëzohemi edhe ne?” thanë zemberekët.
“” Nuk është gjë tjetër veçse popull! ” menduan fijet e shkrepseve.
“Tashi duhej të këndonte çajniku, por ishte ftohtë, ose kështu tha ai, nuk mund të këndonte nëse nuk vlonte, por nuk ishte gjë tjetër veçse një mani për madhështi: ai donte të këndonte vetëm kur ishte në tryeza me të ftuarit.
‘Pranë dritares ishte një penë vjetër, me të cilin shërbëtorja shkruajti; nuk kishte asgjë të çuditshme për të, përveç se ajo ishte zhytur shumë në shishen e bojës, por për këtë ajo ishte krenare. “A nuk dëshiron të këndojë ibriku i çajit?” thirri ajo “është në rregull, këtu ka një kafaz me një bilbil, i cili mund të këndojë; përkundrazi ajo nuk ka mësuar kurrë, por le të mos flasim keq për të sonte!”
“‘Unë mendoj se është shumë e papërshtatshme,” tha kazani, i cili ishte këngëtari i kuzhinës dhe vëllai i gjysmë i çajnikut, “për të dëgjuar një zog të çuditshëm. A ju duket kjo patriotike? Le të gjykojë çanta e pazarit!”.
“” Unë jam me të vërtetë e zemëruar! ” tha çanta “aq e inatosur sa nuk mund ta imagjinoni! A është një mënyrë e bukur për të kaluar mbrëmjen? A nuk është më mirë të rregullojmë shtëpinë? Të gjithë duhet të kthehen në vendin e vet dhe unë do të menaxhoja gjithçka ndryshe! ”
“” Po, le të vendosim! ” thane te gjitha. Në atë moment dera u hap. Ishte një çupë dhe të gjithë qëndruan të qeta, askush nuk mori frymë; por nuk kishte asnjë tenxhere të vetme që të mos ishte në dijeni të asaj që mund të bënte dhe të mos ishte krenare për të. “Po, nëse do të donim” ato menduan se do të ishte një mbrëmje argëtuese! ”
‘Shërbëtorja mori shkrepsat dhe ndezi zjarrin. O Zot! si kërcisnin dhe çfarë flake!
“” Tani të gjithë mund të shohin se ne jemi më të rëndësishmit! ” menduan fijet e shkrepseve “dhe çfarë shkëlqimi, çfarë drite kemi!” dhe të gjitha u përdorën”.
“Çfarë historie e bukur,” bërtiti mbretëresha, “Unë me të vërtetë ndihesha sikur të isha në kuzhinë me fijet e shkrepëseve. Po, ju do të keni vajzën tonë “.
“Sigurisht!” – shtoi mbreti. “Ju do të martoheni me vajzën tonë të hënën.” Tashi i fliste me ti, pasi duhej të ishte pjesë e familjes.
Dasma ishte rregulluar dhe një natë para saj qyteti ishte ndriçuar i gjithë: arra dhe simite fluturonin në ajër; çapkënët e rrugës u ngritën në majë të këmbëve për t’i kapur dhe bërtitën Hurray! dhe fishkëllenin me gishta; ishte thjesht e mrekullueshme!
“Edhe unë duhet të bëj diçka!” mendoi djali i tregtarit dhe bleu disa urorë, stërrallë dhe të gjitha fishekzjarret që mund të imagjinoheshin, i vendosi në baule dhe u ngrit.
Fap! çfarë ngjyrash të bukura! dhe çfarë shpërthimesh!
Të gjithë turqit kërcenin në ajër me çdo goditje dhe pantoflat arrinin deri në veshët e tij: një pamje e tillë ata nuk e kishin parë kurrë. Tani ata e kuptuan që ishte perëndia e turqve që do të martohej me princeshën.
Kur djali i tregtarit zbriti me baulen e tij në pyll, ai mendoi: “Unë dua të shkoj në qytet për të dëgjuar se çfarë thonë ata për mua!” Dhe ishte e natyrshme që ai donte ta bënte këtë.
Çfarë gjërash thanë njerëzit! secili nga ata që ai i pyeti e kishte parë ndryshe, por të gjithëve u dukej i jashtëzakonshëm.
“Unë kam parë vetë perëndinë e turqve!” tha njëri. “Ai kishte sy që shkëlqenin si yje dhe një mjekër si uji që gurgullon!”
“Ai fluturoi i mbështjellë me një mantel zjarri”, tha një tjetër.
“Engjëj të vegjël të bukur që dalin nga palosjet”.
Po, ai dëgjoi disa gjëra të bukura dhe të nesërmen duhej të bëhej një martesë.
Ai u kthye në pyll për të hyrë në baule, por ku ishte ajo? Baulja ishte djegur e tëra. Një shkëndijë nga fishekzjarret kishte rënë mbi të, kishte ndezur zjarrin dhe tani baulja ishte kthyer në hi. Ai nuk ishte më në gjendje të fluturonte, nuk mund të arrinte më nusen e tij.
Ajo qëndroi në çati tërë ditën duke pritur; ajo është ende duke pritur ndërsa ai shkon nëpër botë dhe tregon histori, por ato nuk janë aq për të qeshur sa ajo që ai tregoi për fijet e shkrepëseve./ Skënder Buçpapaj

Nuk ka më ëngjëj që të qajnë – Cikël poetik nga Ylli Margarit Dilo

Ilia(Ylli)Margarit Dilo u lind në Sheper të Zagorisë Gjirokastër (Albania).  

Pas rënies së sistemit komunist në Shqiperi, emigroi familjarisht në Greqi dhe më von në Gjermani…

Ka botuar shumë shkrime, studime e poezi në  gazeta e Revista të ndryshme, si në Shqipëri, USA, Angli, Zvicër, Rumani, Suedi, Itali, etj., vëllime poetike etj.

Eshtë pjesëmarrës  në antollogjitë  poetike : Shpirti i fjales, Kështjella e ëndrrave etj.

Ka në dorëshkrim përkthime  nga gjuha greke,etj.

Përpiqet të eklipsojë vëndin e tij në krijimtari.

                      ZOGU I LIRISE

Mbi malet qeleshe-bardhë 

Fryn e ulërin tufani,

Pisha, bredha legjendarë 

Si shigjeta qiellin çajnë .

Qielli nxirë e bërë sterrë 

Bubullin e vetëtin

Zogjtë braktisin foletë 

Ikin pa asnjë drejtim.

Sorra, qyqe, kukuvajka

Strukur nëpër vrima janë;

Plane djallëzore thurin

Atje thellë në  errësirë .

Të zënë fole pëllumbash,

Sqep e kthetra me gjak t’i lyejnë 

Në gjuetinë makabre

Me thëlleza dhe bilbilë .

Zgjatin kokën, struken prapë 

Presin të pushojë tufani.

Lart në qiellin e trazuar

Shqiponja fluturon krenare,

Krahë -hapur, sqepin-shpatë,

Shikimin si vetëtimë 

I çan retë, mposht tufanin

Dhe krakurin shpendi trim.

Malet përcjellin kushtrimin

Që jep ZOGU I LIRISE,

Pishat e bredhat shtatlartë 

E përshëndesin me nderim,

Pëllumbat edhe bilbilat

E ndjekin në fluturim.

Por  çfar’ ka, pse nisi dridhet

Pse nga krahët po nxjerr flakë, 

Pse shikimi ju egersua

E në tokë po zbret prapë ?

 Eshtë lodhur në shtërngatë 

Apo rrufeja e ka qëlluar,

Ka marrë plagë të  rënda 

Apo rënkim ka dëgjuar?

Ç’kërkon n’ato vende tmerri

E me kthetra  çfar’ po mbledh

Amanetet e martirëve

Që as dheu nuk i tret .

Ndalu moj e  çlodhu pak,

Ngrohu ti në vatrat tona,

Buk’ e kripë e zemër të bardhë 

Me dafinë thurur kurora.

Ajo bie, ngrihet prapë ,

Kap të reja lartësi,

Mposht rreziqe, korr fitore

Dhe nguros  çdo ligësi.

        ***********

O ZOT

Nuk ka më ëngjëj që të qajnë 

Dhe plagë të lëpijnë 

Në mollën pranë shtëpisë 

Bilbila më nuk vinë 

Te porta e burgut 

Me gjak njeriu shkruar

“Ketu hyn dhe nuk del”

Oh! Kohë e mallkuar.

Në rrugë ecën kortezhi

Me gra dhe femijë 

Mbi supe mbajnë  arkivolin

Fleta e Kurbinit u prin.

O ZOT! Pse ike nga anët tona

Rënkon një shpirt i lënduar

Kufomat ecin me hapa të ngadaltë 

Drejt varrit që hapën të  njomat duar.

         **************

.

LETER NENES

                            

                                (Martirëve të Spaçit)

 Zvarritej vargu ynë  i gjatë 

 Me tyta armësh i rrethuar

 Llambë karbiti, kazëm, lopatë 

 Secili kish’ në duar

Punonim neve në  miniera

Ku kishte tym dhe lagështi

Edhe pas punës së rëndë 

Na torturonin në qeli.

Me bukë kurrë nuk u ngopëm 

E shihnim shumë pakëz dritë 

Por malli i madh për ty

Asnjëherë s’u venit.

U ndryshkën prangat nëno moj

Por neve s’ vdiqëm, jo!

Gëzimi yt i pafat

Na mbajti gjallë kudo.

Larot trimat na i vranë 

Atje, në një faqe mali

U skuq  Spaçi nëno moj

Me gjak shqipëtari.

Atëhérë neve bijt’ e tu 

Që s’dinim  çishën lotët

U mblodhëm që të gjithë tok

Betimin bëmë për shokët

Ti ishe e vetmja shpresë 

Imazhi yt i vetmi gëzim

Brenda telave me gjemba

Në jetën tonë  plot trishtim

Ndaj dhe neve nuk na mposhti

Jet’ e rëndë n’ato anë 

Por me dhembë  çamë telat

Dhe përmbysëm sharlatanë.

Ah nënë  ta dish sa kemi vuajtur

Ketë letër dot s’ta dërgova

Jataganin mbante bastardi

E priste gjuhët e kokët tona.

             *********

PER JU

Një ballë i lartë 

Me dy sy të ndritshëm

Që drejt të  panjohurës 

Rendën pa pushim

Nuk kishte për juve

Ekuacione të pazgjidhura

E kurrë s’e njohët

 Termin limit.

Ju shkencës

Jetën ja kushtuat

Por si shpërblim

Çfar’ morët vallë ?

Persekutimin

Prangat, heshtjen

Apo dashurinë  e shokëve

Që ju kujtojnë  me mall.

Me lule 

Eshtë mbushur balta

Që trupin tuaj

Ka mbeshtjellë …

Shkëlqejnë më fort 

Konstelacionet

E yjet kanë tjeter bukuri

Qëkurse shpirti juaj i dlirë 

Prehet tek ta në qetësi.

Për juve 

I shkrova këto vargje

Më duket sikur u kam pranë 

Megjithëse e di fort mirë 

Vdekja nga unë u ka ndarë.

– Kujtimit të paharruar të

 Gazmend Tepelenës, Enriko Veizit,Etjen Dilos, Beqir Alisë, Koço Plakut dhe Milto Gjikopullit.

       **********

RRUGA IME

Eci  në rrugën pambarim

Nga hiçi drejt hiçit

Kam me vehte

Një libër të pambaruar

Së shkruari apo lexuari

As vetë s’e di.

 Të jesh apo të mos jesh…*

Kjo vijë del nga shkëmbi burg i zi…**

Veshtirë të ngjitësh shkallët e tjetrit…***

Thirrja jote dëgjohet larg tamburxhi…****

Një dritë pashë larg diku në mal

Shkelqimi i saj  më tërhoqi magjikisht

S’pata njeri pranë 

Të më lidhte sytë

Dhe trupin  në pemën buzë rruge.

Ndaj me hap të shpejtë si këmbëmadhi

Ju afrova shpellës në  të lartin mal

Ajo dritë !

Një zjarr brenda shpellës 

Ku  ëngjëjt mblidhen Netëve t’Ameshimit

Ajo dritë !

Një zjarr i pashuar

Që ndriçon shpirtërat e njerezimit.

Pak dritë, pak dritë 

Me jepni dhe mua

Fola me sa zë kisha në qënien time

Në natën sterrë që më  rrethonte

Dëgjova kumbimin e Valleve t’Amëshimit

Dy duar më dhanë dritën plot vezullime

Bashkë me ‘te me dhanë vazhdimesinë 

Të pavdekshëm më benë në gjithesi

Fletën e Kerubinit e ndjej pranë 

Kur ruan shpirterat në të tyren lumturi.

Nga hiçi  drejt hiçit diviza ime…

Ngarkuar me një çante me baltë *****

Mbar me vehte atë nga erdha

Mbar me vehte atë ku kthehem prapë.

Kush dëshiron le të jetë  bashkëudhëtar

Vetëm keshtu botën mund ta ndryshojmë 

Le ta shpërndajmë dritën e shenjtë

Në çdo cep të globit  që jetojme.

————-

* Shekspir, ** Gëte, *** Dante, **** Bajron, ***** Çanta me baltë është vetë  trupi ynë.

                 *************

                      SHTEPIA TIME

Shtëpia ime një gërmadhë 

Koha e rrënoi. 

Gjej vetëm ferra edhe kulpra

Atje, ku fëmiria time shkoi.

 Në këndin ku rriteshin lule

Të mbjella nga  Nëna ime

Një korb ka ngritur folenë 

Dhe çdo mëngjez qyqja nis ligjërime.

Unë endëm rrugëve të kurbetit

Pa ditur Ku dhe Pse

Ironi e hidhur e fatit

Përse më përzuri nga ty Atdhe ?

Por, 

Do të vij shtëpia ime

Si Askilipios* i mitollogjisë 

Të mjekoj plagët që koha të shkaktoi

Ty o perlë e viteve të vegjëisë.

———

Askilipios, djali i Apollonit që Zeusi e përzuri nga qielli,mjek që shëronte sëmundjet e njerëzimit pa shpërblim.

Me ka ngelur ves Nga Alda Butka Aliçka

Gjithmone e qep fundin me te gjate dhe e palos ne bel neper shkalle, duke dale….edhe pse im atë nuk rron me.
Sa here ble hallvasi, e ha fshehurazi edhe pse jam vetem ne shtepi…
Mbi komodine mbaj nje liber “serioz” dhe nen te fsheh librin qe lexoj ne te vertete edhe pse ne dhomen time nuk hyn kush…
Kur nxehem shume me dike, pasi jam ankuar per ate qe me ka bere, i fus dhe nje “katunar i dreqit”, “komunisti”,
per ta nxjerre dufin tamam edhe pse nuk e di fare origjinen e tij e as bindjet….
Mezi e mbaj doren, per te mos ia futur me shpulle te qafa, kur i shoh te sapoqethur edhe kur jane ministra apo deputete…
Sa here mblidhemi per dreka ose darka , genjej “ka ditelindjen nje shoqe”….edhe pse tani s`me pyet njeri.
Bej makiazh me dere mbyllur me celes edhe kur jam vetem…
Hedh ndonje berthame ose levozhge nga dritarja edhe kur kam koshin ne dore….
Filloj e kercej, sapo jane duke u akorduar veglat e orkestres edhe pse jam 170 kg….
Ngre syte sa here kaloj, nga ish shtepia e simpatizantit tim te pare …edhe pse ai nuk jeton me ne kete qytet….
Hurmat i ha gjithmone pa lare, vetem duke i fshire me cepin e bluzes, ose fustanit……
Makines nuk i hedh kurre uje.
Mezi pres te ma marre kush ndonje xhiro dhe t`i them neper dhembe “Uuuuuu, shife icik per uje, ho t`morsha t`ligat, se harrova n`mjes “..
Sa here me ftohet kafja them “qyqja…u bo si shurre” edhe pse nuk kam provuar asnjhere te pi shurre…
Trembem dhe nga kotelja e porsalindur, pa pike turpi…..
Dua patjeter te kem fjongo ne koke edhe pse jam gjyshe…
Nuk do te korrigjohem kurre !

Lasgushi – Poet i Bukurisë Magjike dhe Shqipërisë Etnike Kujtime nga Naum R. Prifti

 

 

Për Lasgushin, kultura e njeriut dhe horizonti i tij nuk ishin koncepte abstrakte. Ai e shihte manifestimin e tyre kudo dhe dinte të argumentonte lidhjen e tyre bindshëm.

Një pasdite kishim dalë shëtitje në anën lindore të Pogradecit. Në fund të bulevardit, aty ku ndahen rruga e Drilonit dhe Korçës, dalloheshin dy ndërtesa të reja njëkatëshe me tulla. Lasgushi ndaloi hapin dhe drejtoi bastunin si tregues.

-I sheh ato dy ndërtesa?- më pyeti. – Dikur aty ishin dy baraka druri të shëmtuara që nuk shiheshin me s. Te njëra shitej vajguri, te tjetra qymyr a gërqele. Kur ishte Sekretar i Parë Pirro Gusho dha urdhër të prisheshin dhe mirë bëri. Po shiko se çfarë ka ndërtuar. Në vend të ngrinte një ndërtesë të bukur, të lartë që mund të hijeshonte qytetin, ndërtoi dy kolibe të vogla prej tullash. Pse? Sepse aq dinte, koncepti i tij nuk shkonte përtej ustallarëve të Mokrës. Unë Pirron e kam nip dhe e dua, po nuk mund të mos e kritikoj për këtë shëmti që i la qytetit në një nga pikat më të bukura. Pa patur koncepte për të ardhmen dhe dijeni urbanistike, si mund të rregullohet qyteti?

Fliste me duf dhe dukej i zemëruar sepse në qytet deri në atë kohë, nuk dukej asnjë ndërtim modern.

Dhe Lasgushi, në kuptimin e mirë të fjalës, ishte sqimëtar. Për vargjet, ai kujdesej të zgjidhte fjalën me kujdes dhe e lëmonte atë për të pasur kadencë dhe muzikalitet. Lasgushi mërzitej e nervozohej kur redaktorët vinin dorë mbi vargjet e përkthyera prej tij. Nga kjo shtysë Lasgushi hartoi një satirë të mprehtë, e cila qarkulloi gojë më gojë në mjediset letrare të Tiranës.

“Redaktorët trukokallë,
Redaktojnë vjershëtorët,
Pa më thoni se kush vallë
Redakton redaktorët?”

Për Lasgushin poetët gjermanë, anglezë, francezë, si klasikë dhe bashkëhohorë kishin vend të veçantë. Ai fliste me admirim për Gëten, Hajnen, Bernsin, Brehtin eti. ku rrezatonte horizonti i tij kulturor në letërsi dhe filologji. Ai ishte nga studentët e rrallë shqiptarë, në mos i vetmi , që gjatë studimeve në Universitetin e Gracit, Austri, ndoqi edhe një kurs të gjuhës sanskrite. Besohet se albanologu i njohur Norbert Jokl, me të cilin Lasgushi kishte miqësi, e nxiti të regjistrohej në atë kurs. Jokli shpresonte se njohja e saskrishtes, si rrënja e gjuhëve indo-evropiane do ta shtynte Lasgushin të lëvronte edhe filologjinë. Por Lasgushi kishte lindur për të qenë poet.

Ai më rrëfente sesi takoi një lab dhe iu lut të dëgjonte disa nga këngët e krahinës së tij. “Labi këndonte dhe unë e dëgjoja. Njëra prej tyre më la mbresë të veçantë; “Qaj e qaj moj Këndrevicë,/ E larta mbi male gjithë.” Vargjet e tjera ishin të zakonshme, dhe pa vlerë, tha ai, se folklorin e bëjnë njerëz pa shkollë, por misioni i poetit është të njoh se ku janë fshehur xhevahiret. Forma e rrallë e ndërtimit sintaksor, ku mbiemri del përpara emrit, “E larta mbi male gjithë”, i jep bukuri poetike të jashtëzakonshme vargut.” Lasgushi e huazoi modelin në poezinë “Vasha dhe trimi”.

“Vate prill’ i trimërisë,
Më zu maj i dashurisë.
M’u shfaq vashëza në gjumë,
E ëmbla mbi shoqe shumë…”

Gëtja, Homeri, Shekspri dhe Danteja si shumë autorë e kanë vjelur folklorin dhe kanë krijuar vepra arti në sajë të kulturës së tyre dhe talentit. Një shkrimtar injorant nuk vlen edhe pse e quan veten shkrimtar, madje edhe kur të tjerët e lavdërojnë për t’ia bërë qejfin”.

Lasgushi e ktheu bukurinë fizike të vendlindjes në objekt artistik, duke i falur poezisë shqipe krijime jashtëzakonisht të bukura. Ndërsa, Naimi i këndon bukurisë fizike të Shqipërisë me male, kodra, çuka e pyje, në tërësi dhe në mënyrë përgjithësuese, Lasgushi ishte konkret me emra e topologji. Mali i Thatë, Liqeni i Ohrit, Drini, Shën Naumi janë të pranishme dhe pjesë e pandarë e poezisë së tij. Liqeni, (Lasgushi e toskërizonte Liqeri) si një medaljon i kaltërt mes maleve, me tejpamshmëri të jashtëzakonshme, përflaket kur dielli në ulje ndriçon retë nga poshtë, qetësia e armshuar që bie mbi të aq dominuese sa mund të dëgjohet kërcitja e lopatës së një varke, janë disa nga detajet e spikatura në poezisë lasgushiane.

Vargjet feksin me nuanca, ngjyra, e tinguj, ndërsa kontrasti me muzgun krijon muzikalitet dhe harmoni me natyrën, veten dhe gjithësinë.

“Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pakufir.
Po përhapet dal-nga –dalë një pluhurë si një hije.
Nëpër Mal e në Lëndina Shkrumb i natës që po bije.
Duke zbritur që nga qielli përmbi Fshat po bëhet fir…

E kudo krahin’e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë… në liqer hesht një lopatë…
Një shqiponjë- e arratisur fluturon në Mal-të Thatë…
Futet zemr’ e vetëmuar mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra … u dergj.. e zuri gjumi..
Zotëroi më katër anë errësira…

Po tashi:

Duke nisur udhëtimin mes-për mes në Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shendaumi.”

Mbaj mend se me sa zemërim erdhi në redaksi Lasgushi kur punoja te Revista Ylli. Kishte marrë vesh se profesor Zijaudin Kodra, pedagog në Fakultetin e Letërsisë Shqipe, duke komentuar vargun për Drinin plak që shkon mes-për- mes Shqipërisë, e kishte cilësuar si licencë poetike meqë poeti nuk merrte parasysh gjeografinë fizike, meqë, sipas tij “në fakt Drini shkon anash, përngjat kufirit të Shqipërisë”. I vetëdijshëm se protestat për këtë koment të profesor Kodrës, nuk do t’i botoheshin në asnjë gazetë, Lasgushi gjeti rrugën më praktike duke ia shprehur pakënaqësinë shkrimtarëve dhe studiusve. Unë isha bashkë me poetin Vehbi Skënderi, kur Lasgushi ceku temën e Drinit.

“E kam mik Profesor Zijaudinin dhe e dua”, na tha, “por nuk jam aspak dakord me komentin që u ka bërë vargjeve të mia për Drinin. Kur e lexoi këtë poezi albanologu Norbert Jokl, tha; “Ja sa bukur poeti u lë trashëgim brezave të ardhshëm Shqipërinë etnike, ‘ ndërsa një profesor shqiptar e quan licencë poetike, sikur unë nuk e di dramën e copëtimit të viseve shqiptare më 1913. Jo, nuk e vura as për hatër të rimës apo të ritmit, po sepse ashtu është e vërteta. Matanë kufirit është gjysma tjetër e Shqipërisë dhe Drini shkon mes përmes saj, ndërsa lumenjtë e tjerë thuajse pa përjashtim, shkojnë nga lindja në perëndim.”

Askush tjetër nuk i këndoi aq bukur dhe me mjeshtëri natyrës shqiptare sa Lasgushi te poezia “Mbarim Vjeshte”.

Lasgushi është poeti më i madh lirik, dhe një hark lidhës nga letërsia e Rilindjes te ajo e Periudhës së Pavarësisë.

Poezitë e Lasgushit u hoqën nga antologjitë e shkollave tetëvjeçare dhe të mesme si të demoduara, sepse motivet e tij nuk përkonin me kërkesat e realizmit socialist, por aureolën që gëzonte si poet nuk mundën t’ia hiqnin kurrë. Nuk mundën t’a ndanin poezinë e Lasgushit nga mendja dhe zemra e shqiptarëve në kohën e Enverit dhe në asnjë kohë tjetër, sepse Lasgushi ishte një yll. Ylli i tij do shkëlqejë në qiellin e letërsisë shqiptare për të gjithë ata që kanë kohë të ngrenë sytë e ta gjejnë në qiellin e lartë ky ai ndriçon me të njëjtën forcë e bukuri siç ka vezulluar edhe më parë.


Send this to a friend