
1.
Në Londër binte një rigë e projshme shiu, sikur donte të thoshte diçka, sikur donte të kujtonte diçka, sikur donte të më thoshte diçka! Dhe sa më shumë që binte shiu aq më shumë më bënte përshtypje ritmi i tij gjithnjë e më i shpeshtuar!
Me të dalë nga shtëpia, mengadalë hapë pëllëmbët dhe shtrijë duart që të preku pikat e shiut, sikur pres një zë prej tyre!
Ishte një mëngjes sa i hershëm po aq edhe i freskët. Pastaj, dalëngadalë qielli filloi të bëhej më i zymtë, e më tej edhe më i ngrysur, madje deri në ato përmasa sa filloja të pyesja veten pse është kaq i ngrysur ky qiell sot, vallë pse duket kaq i mërzitshëm?!
Doja të hidhja hapin më tutje e dilja në rrugë, kur sakaq një telefonatë e atij mëngjesi të hershëm ma theku zemrën. Para se ta hapja celularin, diçka më therrte mu në zemër, më sëmbonte fort sepse me të parë numrin, druaja shumë se do të merrja lajmin që nuk e prisja kurrë, që nuk do të doja ta merrja kurrë, që nuk do të dëshiroja ta dija kurrë!
Zëri i ndrojtur i mikut tim, me të cilin sa herë që shkoj në Prishtinë, pi kafenë e mëngjesit thuajse gjithmonë në të njëjtin vend, më shtrëngon zemrën edhe më shumë!
Befas marr një kumt, një lajm të trishtë, të hidhur, nga i cili kuptoj se Nëna Shqipe ka ndërruar jetë!
Tepër e vështirë për ta mësuar, tepër e vështirë për ta dëgjuar një lajm si ky. Gati-gati e pamundshme për ta besuar! Edhe vetë gazetari veteran, mezi ma tha një kumt të tillë. Në zërin e tij kishte emocione, dhembje por edhe nderim dhe respekt të thellë, dëshmi e një konsiderate të veçantë që një Njeri Kulture, në kuptimin e plotë të fjalës (epitet të cilin me aq dinjitet Ernest Koliqi ia fali Mustafa Krujës), po shprehte në fjalët e tij të dhembjes.
Sa e sa vite kishim folur me mikun tim të nderuar, një ikonë e gjallë dhe një dritërrëfyes i fletorarizmës së mirëfilltë, sa e sa herë kishim shuar atë që vetë Koliqi e kishte quajtur ‘malli i shtampës’ (pra malli i shfletimit të gazetave herët në mëngjes), sa e sa herë kishim folur për kulturën, për artin, për letërsinë për gazetarinë, për lajmin por kurrë nuk na kishte vajtur ndërmend, se një ditë do të ndanim mes nesh një kumt të tillë!
Kohëve të fundit, si në një parandjenjë të çuditshme, duke folur me shumë pietet dhe me respekt të veçantë, që të dy e kishim përmendur gjithnjë e më shpesh Nënën Shqipe, madje deri në ato përmasa sa vetë emri i saj përhapte një përmasë drite, të cilin që të dy kishim privilegjin ta gëzonim.
Me të marrë lajmin e hidhur, thellësisht prekës dhe po aq pikëllues, shiu po binte gjithnjë e më shumë, sa më dukej si një violinë me tone të përmallshme! Shiu i Londrës më kujtonte shiun që bie në Prishtinë, kalldrëmeve të gurta e përmbi gjethet e blirëve! Atë ditë kumti, shiu në Londër po binte si në kalldrëme kujtimesh. Vazhdonte të binte ai shi si vetë një pikëllim qielli, sikur donte edhe ai ta thoshte dhembjen e tij, mallin e tij. Në të vërtetë, shiu sa flet me dhembje flet edhe me mëshirë! Pikat e shiut binin duke lidhur kështu tokën me qiellin. Atë ditë pikat e shiut ishin dëshmitare të dhembjes që nuk thuhet, të pikëllimit që nuk përshkruhet!
Butësia e tyre ngjante me një refkëtimë zemre, me një kith malli ku shumëçka ndalet për një çast të vetëm, ndalet dhe përqëndrohet vetëm në një pikë duke dashur të shpalos kujtimet që si thërmia buke bien në sofrën e kohës.
Befas, më kujtohej vargu: Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd Kosovë, i shkrimtarit Ismail Kadare!
Në një ngashërim të thellë, përzier me përdëllim dhe dënesje, befas më kujtohej kur sa herë që kaloja mbi qiellin e Kosovës, poshtë shikoja gjithmonë me mall tokën bujare të gjakut, të cilën Zoti e pagëzoi me epitetin ‘Toka e Shqipeve’, kurse poetët e lartësuan gjithmonë si të tillë!
Atë ditë, epiteti për tokën e shqiponjave sa më ngjallte mall, dhembje, pikëllim, po aq edhe më kujtonte shumëçka!…
Për një çast m’u kujtua një varg tjetër i gurrës popullore: Sa dhemb gjaku, nuk dhemb deti!
Por dhembja ishte më shumë se kaq! Ishte një dhembje e rrallë që përjeton njeriu, kurse largësia e shton atë edhe më shumë!…
Kumti i dhënë na i preu fjalët, mua dhe mikut tim të dashur, korifeut të gazetarisë së njëmendtë. Një ngashërim në fyt nuk na lente të thoshim më shumë. Ishim mësuar të flisnim më gjatë por atë ditë fjalët sikur nuk na dilnin dot. Edhe shiu binte gjithnjë e më i ndrojtur, si një përshpërimë qielli, si një zë i heshtur që vazhdonte përplot dhembje!
Atë ditë shiu më dukej si një urë e psherëtimave mes qiellit dhe tokës. Mes pikave të shiut si lot prej qiellit, sakaq më shfaqej portreti i një nënë sa bujare po aq edhe fisnike, portreti i Nënës Shqipe! Një nënë sa punëtore po aq edhe stoike, një nënë e cila përplot dinjitet dhe krenari përballoi sfidat e shumta të jetës duke triumfuar mbi të.
Nëna Shqipe vinte nga një derë e fisme dhe fati e deshti që të shkonte po në një derë fisnike, ku iu bë një krah i fortë burrit dhe familjes, rriti fëmijët si një nënë e denjë dhe frymëzoi nipa dhe mbesa, duke lënë gjurmë të pashlyera e duke qenë gjithmonë e nderuar nga rrethi i saj dhe shoqëria ku jetoi e punoi.
Ajo ishte një shembëlltyrë e papërsëritshme fisnikërie, bujarie dhe shpirtbardhësie.
Nëna Shqipe kishte tiparet dhe virtytet më të larta me të cilat Zoti ka bekuar kombin tonë, sepse siç ka thënë Napoleoni, në prehër të nënave lindin kombet!
Vetë portreti i saj rrezaton tiparet dhe virytet e tilla, një portret drite dhe përjetësie. Gjihmonë ballëlartë dhe krenare, gjithmonë një lartësi që në modesti shfaqte madhështi. Vetë emri i saj si një ogur i bardhë e kishte përcaktuar një përmasë të tillë nderimi e përjetësimi, përpara së cilës gjithmonë përulen breznitë orëmira.
Vetë emri i saj ishte mishërim i qenies së saj, sepse siç thoshin latinët e moçëm, çka ka në emër ka edhe në zemër!
E pa dyshim se ajo ishte një zemër sa e madhe po aq edhe e bardhë, një shpirt drite dhe bardhësie, një emër që pikërisht për shkak të simbolikës që ka, në trashëgiminë dhe krenarinë tonë kombëtare, për herë të parë u shkrua dhe mbeti si i tillë brez pas brezi: në mermerin më monumental!
2.
Në tokën që po e merrte në gjirin e saj, e thënë me fjalët e Lasgushit, binte diell. Nëna Shqipe shkoi nga kjo botë në një ditë me diell, në ditën e parë të javës, ditën e hënë. Ç’koincidencë e rrallë, me vargun e mermertë: Veshur me diell, mbathur me hënë!
Ajo është përcjellur me dhembje e mallëngjim, por edhe me mirënjohjen e thellë, në radhë të parë të familjes, por gjithsesi edhe të të gjithë atyre që patën rastin ta njihnin, ta takonin e të punonin me të. Nga ndjenja e dhembjes së thellë por edhe nga ndjenja e respektit të veçantë, mes tyre ka pasur edhe njerëz që kanë shkuar këmbë, vetëm e vetëm për t’i shprehur nderimet e fundit, ashtu siç meritonte ajo.
Një nderim të dillë të denjë e të përmasave të veçanta, e meritojnë vetëm ata njerëz që me shembëlltyrën e virtytit të tyre të madh si dhe me bujarinë e sjelljes së tyre të rrallë, i bëjnë për vete zemrat e njerëzve dhe mbesin përjetësisht në kujtesën e brezave.
Dhembja dhe mallëngjimi e kanë shoqëruar kortezhin, por pa munguar edhe ndenja e krenarisë së ligjshme për një Nënë Krenare që patëm në mesin tonë, pa munguar lutjet e pafundshme që Zoti ta shpërblejë me Parajsë e të prehet në paqe, si dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe për farefisin e nderuar, që dhembja të kthehet në forcë! Kurora lulesh e kurora fjalësh deri në përjetësi!
Të nesërmen, diën e martë, lutjeve të panumërta iu shtuan edhe pikat e shiut. Viktor Hygoi me të drejtë ka shkruar se lutja është lidhja më e fortë mes tokës dhe qiellit. Lutjet e shiut u janë shtuar gjithnjë e më shumë lutjeve të njerëzve. Fjalën e mund vetëm loti, dhembjen vetëm shiu. Prandaj, në Prishtinë vazhdimisht binte shi. Pikat e shiut, që binin përmbi kurorat e luleve, mbi kalldrëmet, mbi gurët, rrugët, sheshet, bulevardet dhe përmbi xhamat e dritareve, kryenin edhe ato ritualin e tyre, nga dhembja dhe pikëllimi, dëshmi se për njeriun e mirë qanë edhe vetë qielli. Butësia e shiut lagte tokën, shoqëruar me lutje zemrash e me dhembje shpirti!
Përcjellja – një përulje e thellë dhe një shprehje e madhe e falenderimit: dita e hënë ka folur me gjuhë dhembshurie, kurse dita e martë është lutur me shi, dëshmi kur dikush meriton përjetësi!
Ka shekuj të tërë që bie shi, por ditën e martë ka rënë përplot butësi, vetëm e vetëm për të nderuar një Nënë!
E toka foli me fjalë drite. Foli me flatrat e fjalës shqipe për Nënën Shqipe! Gatoi e poqi edhe dheu fjalë dhembjeje e mallëngjimi. Foli e tha:
Një Qienie Qielli në Mbretërinë e Zotit!
Në ndërkohë, që shiu binte siç binin dhe pikat e lotit!…
Të hënën në Londër binte shi!
Të martën binte në Prishtinë!
Se ç’më ngjall mall ky shi e seç më kujton titullin e veprës së Aleksandër Stavri Drenovës-Asdrenit (autorit të himin kombëtar shqiptar) dhe pa dyshim një prej kryeveprave të letërsisë shqipe, Pika Lot’!
Seç m’i kujton ky shi, vargjet e tij, të cilat sikur i ka shkruar pikërisht për një ditë si kjo:
Ëndrra dhe lotët s’venë kot në erë,
Kanë dhe ato gjuhë të flasin një herë!
Më bëhet sikur pikat e shiut me gjuhën e tyre shkruajnë vetë vargjet e Asdrenit, mbi fletët e luleve, përmbi gjethet e bilrëve, përmbi parmakët e dritareve!
Seç ma kujton ky shi, njërën prej strofave më të bukura e më të dhembshme njëkohësisht, të poetit kombëtar Gjergj Fishta (i treti dhe i fundit pas De Radës e Naimit), të elegjisë së tij të famshme, Peng Nderimi:
Oh! Po: ajo fjalë ngushllimit
N’zemër njashtu m’ka ardhë
Si voesa prej agimit,
Qi bien m’nji lil të bardhë:
E atbotë, si kahë prendvera
Bijn vjollca e lule tjera,
Njashtu mendimet-paten n’mue
burimet.
Seç ma kujton ky shi thënien e madhe e monumentale të Stefan Cvajgut: Është e madhërishme të jesh njeri!
Sa bekim i rrallë, të kesh në jetë një shkëlqim me një rrezatim dielli, dhe të përcillesh nga kjo jetë me vargun e mermertë: ‘Veshur me diell, mbathur me hënë’, e të nesërmen-pra ditën e martë, të bie shi si një përgjërim i pafund dëshmi për përjetësi!
Sa shumë ma kujton ky shi, një him nga më të rrallët që miku im i dashur kishte shkruar pikërisht për këtë madhështi – të qenunit njeri, e qoftë edhe vetëm për këtë çdo Akademi veten do ta nderonte me emrin e ti (j):
‘Me qenë njeri është normale, mos me qenë njeri, është vështirë!
Njeriu i mirë është ai që udhëhiqet nga ndershmëria, dashuria për të tjerët dhe ndjenja e përgjegjësisë!
Ai nuk e mat vlerën e vet me pasurinë apo pozitën, por me mënyrën se si sillet ndaj të tjerëve dhe ndikimit pozitiv që lë në shoqëri.
Cilësia e parë që e dallon një njeri të mirë është ndershmëria.
Ai është i aftë, të ndjejë dhe të kuptojë vuajtjen e të tjerëve dhe gjithmonë përpiqet të ndihmojë sa herë ka mundësi.
Njeriu i mirë nuk pret shpërblim, sepse ndihma për të është një detyrim moral dhe jo një mjet për përfitim personal.
Njeriu i mirë është i drejtë, i sjellshëm, nuk fyen, është i urtë, i durueshëm dhe respektues.
Ai nuk nxiton të gjykojë, por dëgjon, kupton dhe flet me maturi. Sjellja e tij gjithmonë është e bazuar në edukatë, tolerancë e mirëkuptim.
Njeriu i mirë, është një shembull i gjallë për të tjerët.
Me veprat e tij ai frymëzon dhe ndihmon në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe më të bashkuar.
Ai nuk e sheh të mirën si një zgjedhje, por si një mënyrë jetese!
P. S. Sa shumë ka nevojë Kosova për njerëz të tillë (të mirë)!
Po kam dëshirë me menduar se, shumë nga këto kushte, tashmë i kam plotësuar) !!!’
Sa shumë e kishim komentuar së bashku këtë himn për njeriun dhe njerëzoren me mikun tim, që përpos se gazetar është edhe vjershëtar. Pra, Korifeu dhe Prometheu tek ai shkrihen në një, duke ma kujtuar gjithmonë thënien e Pashko Vasës se poet dhe mbret janë gjithmonë dy gjëra të papajtueshme!
Shpesh, edhe nga larg e kujtoj vendin ku takohemi me mikun tim. E nga larg më kujtohet shumë shpesh thënja e Gëtes: Sa ëmbël tingëllon gjuha e nënës në dhe të huaj!
Pastaj, kujtoj Firdusin e madh, tek po gdhendte vargjet e kryeveprës së tij Shahnameja (Libri i Mbretërve), plot 30 vjet! Duke shkuar për të shkruar në të njëjtin vend, i kishte bërë të tjerët të thoshin: Vetëm një njeri rri i vetmuar. I menduar dhe duke pirë çaj!…
Edhe Nestori i urtë gjithmonë shikon drejt ardhmërisë përmes mençurisë së shekujve, prandaj sa shumë flet mermeri i këtyre fjalëve të mikut tim të dashur, shkruar në një shqipe me tone fisnike, edhe një dëshmi se njerëzit si Nëna Shqipe më shumë i duhen tokës se qiellit!
Dhe sa më shumë që bie ky shi aq më shumë m’i kujton perlat e poetit të thelpinjve të hollë lirik, Lasgush Poradecit:
O Zot i madh e plotfuqishëm merri, merri në kujdestari shpirtat e shërbëtorëve të tu dhe mbaji në parajsë! Të lutem o Zot! Dëgjoma lutjen time! Ndjesi, o Zot i plotfquishëm për shpirtat e tyre!’
Në historinë e letërsisë shqipe, Lasgush Poradeci e ka epitetin nga më të bukurit por dhe nga më të rrallët: Princi i Poezisë Shqipe!
Dhe kush më bukur se Lasgush Poradeci ka ditur t’i lutet Zotin në një shqipe të qëruar fjalësh, siç do të thoshte Princi i Gjuhës Shqipe Faik Konica, për fjalimet e zjarrta të atdhedashurisë së Abdyl Frashërit?
Është thënë me të drejtë për Lassgushin se në një vetmi kozmike vetëm Zoti ia di shqipen!
Dhe cili prej nesh, në një mënyrë ose në një tjetër, nuk është i është lutur Zotit njëlloj si Lasgush Poradeci, në ditën kur Nëna Shqipe u nda prej nesh?!
Cili prej nesh nuk tha nga thellësitë e zemrës fjalë plot dhembje e mall të valë? Cili prej nesh nuk do ta kujtojë e nderojë përjetësisht si të tillë?
Flamurtarja Nëna Shqipe!
Ballëndritura Nëna Shqipe!
Zemërmadhja Nëna Shqipe!
Shpirtbardha Nëna Shqipe!
Mëshirëmadhja Nëna Shqipe!
Shambibardha Nëna Shqipe!
Lokemadhja Nëna Shqipe!
Nënëmadhja Nëna Shqipe!
3.
Nëna nuk ka moshë, sepse siç e tha poeti, atdheu fillon tek zemra e nënës. Në kuvendimin e saj të heshtur, Nëna foli gjithmonë me atdheun. Gjuha e zemrës foli me gjuhën e gjakut. Në modestinë saj, Nëna Shqipe shpalosi vetë madhështinë e saj. Sa fisnike po aq edhe bujare, sa punëtore po aq edhe krenare, sa njerëzore po aq edhe parimore, sa kosovare po aq edhe ilire – po aq edhe arbërore. Ajo gjithmonë vuri krenarinë përmbi lumturinë. Ajo e deshti gjuhën dhe kulturën, traditën dhe atdheun, prandaj nuk është thjesht një koincidencë që në votrën e saj dhe në sofrën e saj bujare ka aq shumë pagëzime me shkronjën A.
Vetë portreti i saj na e kujton thënien e moçme e tejet domethënëse me të cilën Arbëreshët matanë brigjeve të Adriatikut, kujtonin, lartësonin dhe nderonin atdheun e tyre të dashur, thënien emblematike: Zonja Mëmë!
Që nga Jeronim De Rada e deri tek Vorea Ujko, e hasim këtë shprehje të krenarisë dhe të madhështisë, me të cilën sot e mot gjaku i arbërit nderon atdheut e të parëve të vet, shprehjen: Zonja Mëmë!
Në mënyrë të veçantë, tiparet dalluese të portretit të saj, na e përkujtojnë thënien e madhe të shkodranit të mençur të të shqiptarit të madh, poetit të pushkëve të bardha, Pashko Vasa (në poemën O Moj Shqypni!): ‘Ti ke pas qenë nji Zonjë e ran’/ burrat e dheut të thirrnin Nanë!’
Në gjuhën e Pashko Vasës, shprehja Zonjë e ran do të thotë Zonjë e Madhe, epitet ky të cilit Fan Noli në përshkrimin që i bëri nënës së Gjergj Kastriotit-Skëndërtbeut, pas kthimi të tij në Krujë, i shtoi pjesën më të bukur: ‘Si nonjë e Shenjt’ Madhështore’, duke e mishëruar kështu në një, Nënën me Mëmëdheun!…
Vetë portreti i Nënës Shqipe me ballin e gjerë e me qëndrimin sa stoik po aq edhe krenar, flet dhe dëshmon se ajo ishte mishërim i një emri tejet fisnik, që u trashëgua brez pas brezi.
Vetë emri i saj Shqipe, është mishërim i gjuhës dhe i dashurisë për atdheun, për krenarinë e një kombi të lashtë e të përvuajtur, që gjatë gjithë historisë së tij shumëshekullore dëshmoi se shqiponjat fluturojnë lart!
E them me krenari të ligjshme se Nëna Shqipe ka pasur një dashuri proverbiale, në radhë të parë për gjuhën, për kulturën, për Atdheun dhe për kombin, njëlloj sikurse edhe bashkëshorti i saj (DRITË U BËFTË SHPIRTI!) gjithashtu, në prizmin erenestkoliqian: Njeri i Kulturës.
Dëshmi e kësaj dashurie proverbiale si edhe e një bashkëbisedimi në heshtje me atdheun e vet, janë katër emra të nderuar në kulturën tonë kombëtare, dy prej të cilave janë epitete nga më të bukurat dhe nga më domethënëset.
Këtu e më shumë se njëqind vjet më parë, Shqipëria nxori gjithashtu tre emra të shquar nga një familje atdhetare e iluminste, të cilës në rrokullisje të moteve do t’i shtohej edhe emri i katërt: Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Naim Frashëri, dhe Mithat Frashëri.
Është thënë me vend se ky është një rast unik në historinë e Europës dhe shqiptarët kanë pse të krenohen me ta.
Përmasën e ardhjes së tyre, poeti K. Petriti e ka gdhendur me një penë të rrallë:
Tre vëllezër Frashëri,
Sa për tre Tomorr,
Tre kontinente shkelin
Për një Vlorë.
Ndërkaq, poeti Sylejman Mato u ka kushtuar atyre poezinë më të bukur që dikush ka shkruar ndonjëherë për ta:
Balli i trimërisë,
Balli i poezisë,
Dhe balli i mençurisë,
Tek balli i Shqipërisë.
Pra, balli i Abdylit, i Naimit dhe i Samiut. Nuk ka si të përmblidhet në mënyrë më lakonike sesa kështu madhështia e Frashëllinjve, trima e të mençur, atdhetarë e vizionarë, luftëtarë të paepur të bërjes së Shqipërisë me hir o me pahir!
Njëlloj sikurse Nëna Emine (emrin e së cilës Abdyl Frashëri e trashëgoi tek e bija e tij – Emineja, e cila u martua me Tajar Zavalanin-gazetar në BBC, të birin e Fehim Zavalanit, në shtëpinë e të cilit u mbajt Kongresi i Manastirit), pra ashtu sikurse Nëna e Frashëllinjve, edhe Nëna Shqipe ia fali kulturës shqiptare (për të herë të dytë), pas më shumë se njëqind vjetëve: Parashqevinë dhe Sevastinë.
Po nga kjo dashuri, po nga kjo dhunti e genit iliro-arbëror, ajo gjithashtu ia fali po kësaj culture, Kanarinën e saj!
Përmbi të gjitha, nga dashuria e saj e madhe proverbiale për gjuhën shqipe, me të cilën edhe mishërohej aq shumë emri i saj i madh, ajo ia fali gjuhës sonë të bukur, gjuhës sonë të dashur edhe Princeshën e saj.
Pra, katër emra, katër shtylla të një kulture të lashtë mijëvjeçare. Pa dyshim edhe një dëshmi, se edhe emri Shqipe, e që në të vërtetë është rrënja e emrit të atdhuet tonë të shenjtë, ka hyrë në urdhrat e bekimit hyjnor mijëra vjet më parë, pikërisht ashtu siç vjershëroi aq bukur Mitrush Kuteli në Poemthin Kosovar:
Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjësi,
as shka të zi
se jam këtu kur Mali I Zi
ish Iliri;
Kur nga një det në tjatrin det
isha Zot vet!
Ndërkaq, Ernest Koliqi në melodramën Ora e Shqypnisë, do të shkruante:
E n’kje se n’at krahinë n’ato gërmadhe
Ku i foli botës nji Dodonë zamadhe
Tingllat e pyllës hyjnore kanë heshtue;
Po Ora e Shqypnis nuk ka marue!
Ku Dodona Europës s’hutueme
i mbulonte ajo fatin e vet:
ku gjaku s’di m’u ba ujë, pse a gjak Ilirësh,
e gjaku i asaj Shqipes pellazge, e cila dikur:
Flatrat e veta i rrifte
kur as Athina e as Roma nuk u njifte!
Në të vërtetë, në historinë e saj të fragmentuar qëllimisht sa dhe padrejtësisht, gjuha jonë e bukur shqipe e mëpastaj edhe letërsia shqipe, kishin kërkuar dhe kishin gjetur më në fund dritërrëfenjësit e vet: Konstantin Nelko Kristoforidhin (Babai i Gjuhës Shqipe), Naim Frashërin (Bilbili i Gjuhës Shqipe), Faik Konicën (Princi i Gjuhës Shqipe), Zef Seremben (Princi Tragjik i Poezisë Shqipe, Lasgush Poradecin (Princi i Ërgjendtë i Poezisë Shqipe)…
Vetëm njëra mungonte, në aq shumë shekuj, vetëm ajo nuk po vinte dot: Princesha e Gjuhës Shqipe!
Ishte pikërisht Nëna Shqipe ajo që ia dha atdheut të saj, gjuhës së saj, kulturës së saj: Princeshën e Gjuhës Shqipe!…
Prandaj, sa herë të lexojmë e recitojmë vjershat dhe vargjet e mermerta të poetëve që shkruan himne të papërsëritshme për gjuhën shqipe, duke e quajtuar atë madje edhe si gjuhë hyjnore, do ta kujtojmë edhe Nënën Shqipe.
Sa herë të kujtojmë thënien e albanologut të madh Holger Pedersenit se gjuha shqipe të finsikëron shpirtin, do të kujtojmë Nënën Shqipe.
Sa herë që të kujtojmë thënien e madhe të albanologut hungarez Ishtan Shfyc, se gjuha shqipe është zonja e Ballkanit, do të kujtojmë me krenari Nënën Shqipe!
Sa herë që kujtojmë fjalët lapidare të publicistit dhe iluministit shqiptar K. Gurakuqit për gjuhën e bukur shqipe (shkruar më 1942 nën titullin Dashunija për Gjuhën Shqipe): ‘Do ta duam gjuhën shqipe, sepse kjo gjuhë për mijëra vjet shprehu mendimin e sa e sa miliona njerëzve të një gjaku me ne, sepse fati i saj qe fati i Shqipërisë, jeta e saj historia jonë, mbretërimi i saj madhështia jonë. Ta duam, sepse fjala e saj na del nga fundi i shpirtit bashkë me çdo njësi tonën, trazohet me mendimet tona që prej burimit të tyre e më thellë, dhe nuk është vetëm trajtë, kumbim, ngjyrë, por krejt jeta e mendimit tonë. Do ta duam, sepse është ushqim mendor yni, fryma e mendjes dhe e shpirtit tonë, sepse është shprehja e vetisë më të madhe të cilësive të veçanta të kombit tonë, fytyra më e gjallë dhe më fisnikja, gati-gati natyra vetë e racës sonë. Do ta duam, sepse është lidhja më e fortë e njësisë sonë si popull, ushtima e së kaluarës sonë, zëri i ardhmërisë sonë, jo vetëm fjala por qenësia e shpirtit të Atdheut. Do ta duam gjuhën shqipe, sepse është e bukur, shumë e vjetër dhe shumë e fuqishme.’ do ta kujtojmë edhe Nënën Shqipe.
Sa herë të kujtojmë thënien lapidare të Ernest Koliqit për gjuhën shqipe: O gjuhë e folun, tre mijë pranvera!, do të kujtojmë dhe do të nderojmë edhe Nënën Shqipe.
Në historinë, në traditën, në trashëgiminë tonë kombëtare mijëravjeçare, në artin tonë, në kulturën tonë shpirtërore, në letërsinë dhe në gjuhën tonë, në jetën tonë dhe në qëndresën tonë, në epikën tonë legjendare dhe historike, emri Shqipe ka një simbolikë dhe një domethënie të veçantë.
Emri Shqipe është mishërim më sublim i të gjitha idealeve kombëtare, është mishërimi më i bukur i të gjitha viryteve dhe tipareve iliro-daradne, është pagëzim dhe përjetësim të cilin brezat e shqiptarëve atdhetare e kanë bartur dhe do ta bartin brez pas brezi, me krenari dhe me dinjitet.
Emri Shqipe, në parafrazim të poetit të madh francez Lui Aragon, është një emër ku mblidhen shekujt, është një zemër ku zgjohen ardhmëritë.
Vetë emri Shqipe, prej të cilit edhe buron emri i atdheut tonë Shqipëri, është një emër me diellin në zemër, dhe si i tillë ai nuk shuhet kurrë!
Në hartën e prerë egërsisht të Ilirisë, si dhe në hartën e tkurrur skajshmërisht të Shqipërisë, emri Shqipe qëndron në ballë, qëndron si një emblemë e lashtë ilire, qëndron siç qëndruan edhe vetë shqipet në kreshtat e larta të tokës mëmë e në kështjellat e pamposhtura të atdheut tonë.
Në simbolikën e një emri të tillë edhe vetë gjuha jonë e bukur shqipe, është kryekështjella e kombit, është vetë shpirti i kombit.
Të vish nga një qytet tjetër në kryeqendër, të vish nga një shumë e fisme e të hysh me këmbë të mbarë në një derë tjetër njëlloj fisnike, t’i përvishesh punës me aq përkushtim e të kontribosh pa u ndalur në një familje që kishte aq shumë nevojë për një dorë të vyer, t’i bëhesh asaj krah dhe dalëngadalë të bëhesh edhe shtylla e saj vertebrale, të ngresh familje e të rrisësh, të edukosh dhe të shkollosh fëmijë të mrekullueshëm me një shembëlltyrë të pashoqe, të bëhesh rreze shprese dhe burim drite – si për familjen ashtu edhe për rrethin e shoqërinë, të ndikosh aq shumë me shembëlltyrën tënde të rrallë, të frymëzosh aq shumë me tiparet dhe virtytet më dalluese të genit të kombit, të mbjellësh aq fort ndjenjën ndaj gjuhës, ndaj kulturës, ndaj lirisë dhe ndaj atdheut; të jesh pastaj e rrethuar me përmasën e theksuar sa edhe të merituar të nderimit e të respektit, të mbledhësh rreth votrës njëlloj sikurse edhe rreth sofrës nipa dhe mbesa të shumtë, të lesh një trashëgimi për lakmi e cila sot e mot rrezaton dritë dhe mirësi, bujari dhe fisnikëri, mbarësi dhe bardhësi, t’u falësh me aq përkushtim, me aq zotim, me aq dinjitet dhe me po aq krenari breznive orëmira fjalën tënde të ëmbël e të dashur si dhe shembëlltyrën tënde të lartë, don të thotë se e ke përmbushur një mision tepër human që jeta të ngarkuar mbi supe, don të thotë se ke përballuar aq shumë sfida dhe ke sakrifikuar aq shumë për të triumfuar përmbi vështirësitë dhe për të ngadhënjyer me aq meritë në valët e jetës, gjithmonë duke pasur parim të parë parimin e së drejtës dhe të së vërtetës; don të thotë se e ke fituar përjetësisht nderimin dhe mirënjohjen e të gjithë atyre, tek të cilët ke lënë gjurmë të pashlyeshme me krenarinë tënde të ligjshme prej Nëne.
Përmbi të gjitha, t’ia falësh kulturës së kombit tënd, pra t’ia falësh atdhuet tënd të dashur Shqipërisë, sërish pas më shumë se njëqind vjetësh, si Sevastinë ashtu edhe Parashqevinë – pa dyshim krenaria jote më e madhe dhe krenaria e jonë e përbashkët, t’ia falësh sërish pas mijëra vjetësh në tokën bujare të Dardanisë, Tempullit të lashtë të Dodonës – Kanarinën, dhe t’ia falësh aq bujarisht gjuhës sonë të bukur e të ëmbël, pas aq shumë mijëvjeçarëve, Princeshën e saj të pritur aq shumë dhe aq gjatë, don të thotë se në modestinë tënde ke shpalosur gjithmonë madhështinë, don të thotë se për stoli ke pasur një dhunti dhe bujari të rrallë, me të cilën veç Zoti ka ditë qysh me t’beku!
Duke nderuar kështu kaq denjësisht atdheun tënd dhe kombin tënd, ke nderuar njëkohësisht veten tënde dhe ke nderuar në mënyrën më të merituar të parët tu, të cilët duke të pagëzuar ashtu me aq krenari dhe me aq dinjitet me një emër sa të dashur po aq edhe epik, jo vetëm që kishin besuar por edhe kishin paralajmëruar një ogur tepër të bardhë!
Prandaj, është i nderuar një komb që ka një Nënë të tillë. Janë me fat ato brezni që kanë një Nënë të tillë në mesin e tyre, brezni të cilat Nëna Shqipe, me jetën dhe me punën e saj, i pa dhe i deshti gjithmonë si: Brezni Orëmira!
Duke shprehur sërish ngushëllimet tona më të sinqerta familjes dhe gjithë farefisit, duke ndarë dhembjen së bashku dhe gjithmonë duke u lutur që dhembja të kthehet në forcë, shprehim njëkohësisht respektin më të thellë si dhe mirënjohjen tonë pa kufi për Nënën Shqipe!…
4.
Një kumt si ky, gjithmonë e ndalë frymën!
Një kumt si ky gjithmonë është një trishtim i thellë!
Përballë një kumti të tillë është e pamundur të përmbahesh, sepse e tillë është dhembja!
Ajo e pret fjalën, e shtrydh lotin!
Në fillim ishte fjala!
Kështu shkruan në Librin e Shenjtë!
Edhe në fund, sërish fjala.
Por ky nuk është fundi!
Ky është fillimi.
Ky është amshimi!
Fjala, lulet dhe lotët bëhen një, sepse asgjë nuk arrin më shumë tek Zoti sesa vetë fjala që buron nga zemra, sesa vetë loti!
E sakaq fjala, lutjet dhe kërkim-falja bëhen një:
Sepse sado që u përpoqa fort, as nuk të pashë e as nuk erdha dot!…
Të paktën të venja një grusht dhe e një grusht lotësh, një tufë lulesh në ndërrim motesh!
Megjithatë, Nëna Shqipe do të nderohet nga ne dhe nga brezat që do të vijnë pas nesh, sot e mot e në jetë të jetëve!
Përmasa e një nderimi të tillë, sërish më kujton vargje poetësh!
Më kujton fate poetësh, si ajo e poetit të vargut të gjakut, kur e përcolli Kanarina me fjalët lapidare që nxori nga krahanori, këtu e trembëdhjetë vjet më parë:
‘Lamtumirë Poet! Të qoftë i lehtë dheu, dhe paqja: E Amshuar!’
Në trilogjinë e tij, Dante krijoi parajsën ku zotëron një dritë hyjnore.
Borhesi, në imagiinatën e tij të bujshme, krijoi një vizion të papërsëritshëm ku parajsës ia fali parafytyrimin e një biblioteke të rrallë!
Një dhembje si kjo, gjithsesi na shtynë të besojmë se parajsa në radhë të parë përbëhet nga shpirta të bardhë!
Një pikëllim si ky, një dhembje si kjo, më kujton vargjet e poetit të madh Naim Frashërit:
O forcë e shpirtit, ti qëndron sipër njerëzimit dhe i përket qiellit!
Nëna Shqipe, tani i përket qiellit!
Atje ku është Mbretëria e Zotit!
Atje ku është Amshimi vetë!
U preftë në paqe, Nëna Shqipe!
Asht siç tha vetë Kanarina:
‘TË QOFTË I LEHTË DHEU, DHE PAQJA: E AMSHUAR!’…
Sot si asnjëherë tjetër, sot si kurrënjëherë tjetër, lutem sa mundem, duke e vënë dorën në zemër dhe zemrën në letër:
Të qoftë i lehtë dheu, që të lindi e të rriti!
Ta paqim gjithmonë hua Nëna Shqipe, në jetë të jetëve!
T’i paqim të gjitha – gjithmonë hua, siç tha Asdreni:
Pika Lot!
Sa herë bie shi, sa herë që lutemi:
O Zot!
Sërish, siç na la trashëgim Naimi vetë:
LUM SI TI, SHPIRT I PAMORT!
Sa herë që themi:
NËNA SHQIPE!
Sa herë që shikojmë portretin tënd!
Sa herë që të kujtojmë e hedhim sytë kah përjetësia!
Sa herë që themi:
SHQIPE SHQIPËRIA!…
(Londër, fund nëntori – fillim dhjetori, 2025)
Shumë bukur ZEQIR LUSHAJ!
Secili në punën, talentin dhe në ZANATIN e vet. Një punë që dha di mos i bje në qafë kot= THOTË populli!
Sali Frangu
Po ti u bane peshkatar, e çfare peshkatari, nga me te miret e ketij soji. Peshkatar e rralle i vargut te mrekullueshem, me te cilat po na i mbush torbat e viteve. Qe sa here te jemi ujshem ta thyejme nga pak urine. Faleminderit Bace
Flm anonymous.
Flm zotri nderuar Sali Frangu.
Lexues si ju na e shtojne kenaqesine e botimeve tona sado modeste.
Respekt.
I nderuem Mik,
Po me bahet qejfi nga kjo poezi.
A e di se Epoka e Re filloi prej Peshkataresh?!
Pershndetje nga nje nip peshkatari.
Flm Princ Radovani.
Respekte.