VOAL

VOAL

DW: Nesër Raporti i Progresit për vendet e Ballkanit dhe Kosovën, nuk shkruan asgjë për vizat

April 16, 2018

Komentet

Kurti fton në takim krerët e partive opozitare

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka dërguar letër për takim tre kryetarëve të partive opozitare, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i ekzekutivit, Arlind Manxhuka.

Por, Manxhuka nuk tregoi për datën se kur Kurti do të takohej me krerët e tjerë partiakë.

Letra e Kurtit drejtuar kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kreut të Aleancës, Adrian Gjini vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur të tri partitë lidhur me atë se si do t’i përgjigjen ftesës së Kurtit dhe është në pritje të përgjigjeve.

Ajo që pritet pas certifikimit të rezultatit është konstituimi i Kuvendit, votimi i Qeverisë dhe presidentit të ri të Kosovës. Për këtë të fundit, vendi shkoi në zgjedhje, pasi muaj më parë partitë dështuan të arrinin konsensus rreth kandidatit.

Sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja e Kurtiti ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22 ulëse, LDK-ja 18 dhe Aleanca shtatë.

Meqë LVV-ja duket se i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, nuk pritet që këto dy procese të hasin në pengesa, pasi për të dyja këto kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh. Për këto dy procese, Kurti llogarit në votat e partive pakicë joserbe – që kanë dhjetë mandate.

Megjithatë, ende nuk ekziston një marrëveshje apo konsensus rreth emrit të presidentit.

Cilat janë qëndrimet e partive?

Zyrtarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ditë më parë i tha Radios Evropa e Lirë se partia në pushtet i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit.

PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca kanë paraqitur disa kushte për bashkëpunim të mundshëm me LVV-në e Kurtit.

Hamza ka thënë se e para se të flitet për bashkëpunim të mundshëm qeverisës janë një sërë temash, sikurse pagat dhe pensionet, kapacitetet energjetike, gazi amerikan, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, që do të duhen të trajtohen me partinë fituese.

Abdixhiku, ndërkaq, ka thënë se orientimi strategjik i Kosovës, përfshirë gazi amerikan, “janë parakushti i ekzistencës politike” të LDK-së.

Ndërkaq, Gjini ka paraqitur gjashtë kushte në këmbim të mbështetjes për krijimin e institucioneve të reja. Ndër kushtet e Aleancës janë që Kosova ta pranojë projektin e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali me thëngjill dhe disa kushte të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë.

Qeveria në detyrë e Kurtit po përballet me thirrje nga Ambasada amerikane, partitë opozitare dhe odat ekonomike që të bëhet pjesë e nismave rajonale të rrjetit të gazit të lëngshëm natyror (LNG), që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Më 8 korrik, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati përsëriti thirrjen që Kosova të furnizohet me LNG-në amerikane “për të siguruar investime amerikane në të ardhmen”.

Megjithatë, deri më tani, nga ekzekutivi nuk kanë dhënë sinjale se janë të gatshëm të bëhen pjesë e këtyre nismave, teksa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Kurti kanë përmendur idenë e gazifikimit të thëngjillit vendas.

Për presidentin nevojitet prania e dy të tretave të deputetëve në Kuvendin që votimi në dy rundet e para të jetë i vlefshëm.

Në mungesë të një marrëveshjeje politike, kjo është e pamundur për secilën parti parlamentare.

Kushtetuta parasheh që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit.

Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin të katërtat parlamentare që nga shkurti i vitit 2025.

Kurti thotë se BE-ja ka miratuar 206 milionë euro fonde për Kosovën

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën vonë se Bashkimi Evropian ka miratuar projekte të kërkuara nga Kosova dhe grante në vlerë të përgjithshme prej 206 milionë eurove.

Në një postim në Facebook, Kurti tha se BE-ja njoftoi zyrtarisht vendin se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, në vlerë prej 180.5 milionë euro.

Gjithashtu, sipas tij, janë miratuar edhe tri grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në vlerë totale prej 25.9 milionë euro.

Megjithatë, para se Kosova të fillojë t’i pranojë këto të holla, nevojitet miratimi i tyre nga Komisioni Evropian dhe më pas nënshkrimi dhe ratifikimi i marrëveshjes financiare nga Kuvendi i Kosovës.

Kosova nuk ka Kuvend funksional, por ai pritet të konstituohet në ditët në vijim, pas certifikimit zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Për çfarë fondesh e grantësh bëhet fjalë?

Kurti shpjegoi se fondet prej 180.5 milionë eurove do të mbështesin fushat prioritare për Kosovë, si mjedisi dhe klima, energjia, menaxhimi i kufijve dhe migrimi, konkurrueshmëria, arsimi dhe punësimi, qeverisja e mirë dhe përafrimi me BE-në, si dhe sundimi i ligjit.

“Rreth gjysma e fondeve do të shkojnë për investime infrastrukturore. Shumica e projekteve do të realizohen në kombinim me partnerë të tjerë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet tona”, tha Kurti.

Ndërkohë, nga tri grante nga WBIF-ja, në vlerë totale prej 25.9 milionë euro, investime do të ketë në hidrosistemi Ibër-Lepenc, në autostrada Qafë e Duhlës–Banullë, dhe impianti i trajtimit të ujërave të zeza në Podujevë në bashkëpunim me BERZH-in, sipas Kurtit.

Kosova ka filluar të përfitojë nga ndihma e Bashkimit Evropian në kuadër të IPA-së që nga viti 2007. Që atëherë, deri në fund të vitit 2022, Kosovës i janë dhënë gjithsej 1.21 miliardë euro përmes programeve IPA I dhe IPA II.

Kryeministri Kurti priti në takim delegacionin e iniciativës “America250”

 

 

Prishtinë, 2 korrik 2026

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim delegacionin e iniciativës “America250”, një projekt dypartiak i themeluar nga Kongresi në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Diskutimi u përqendrua në përparimin jashtëzakonshëm që Kosova ka shënuar në vitet e fundit dhe në bashkëpunimin në një mori fushash strategjike, përfshirë politikën e jashtme, energjinë, mbrojtjen dhe sigurinë.

 

Delegacioni ishte i përbërë nga udhëheqësi i projektit, Faton Bislimi; profesorët Daniel Serwer dhe Edward Joseph; Drejtori Ekzekutiv i Çështjeve Qeveritare në Legjionin Amerikan, Mario Marquez; Drejtorja Ekzekutive e Asociacionit të Familjeve të Ushtrisë, Besa Tafilaj Pinchotti; dhe anëtarët e bordit të projektit, Ramiz Tafilaj, Shpend Bytyqi, Naser Berisha, Sherif Sherifi, Faton Blakqori dhe Andi Vranja./Zyra e Kryeministrit

 

Kryeministri Kurti priti një grup të gazetarëve të gazetës Rilindja

 

Prishtinë, 2 korrik 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të shënimit të 36-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, priti në një takim një grup të ish-gazetarëve të gazetës Rilindja.
Duke folur për rëndësinë e raportimit dhe mbulimit të ngjarjeve historike, kryeministri vuri në pah rolin e gazetës Rilindja në këtë drejtim, në rrethana jashtëzakonisht të vështira, që u rënduan deri në mbylljen e dhunshme të saj më 7 dhe 8 gusht 1990 nga regjimi serb.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se arkivi i Rilindjes është historia jonë, sepse shërben si pikë reference dhe konsultimi për të gjithë studiuesit që bëjnë hulumtime për Kosovën në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.
Derisa kryeministri i falënderoi për kontributin e tyre, ata u shprehën mirënjohës për ftesën, duke thënë se është ndër pritjet e rralla që u bëhen në institucionet më të larta shtetërore.
Pjesë e delegacionit ishin gazetarët: Binak Kelmendi, Ibrahim Kadriu, Evliana Berani, Dush Gashi, Mehmet Gjata dhe Emine Berisha./Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës: Sulmet ndaj policëve të Kosovës inkurajohen nga vetë Vuçiqi

Valbona Bytyqi

Qeveria në detyrë e Kosovës konsideron se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me deklaratën se Millan Radoiçiq nuk është kriminel, po inkurajon sulmet ndaj policëve të Kosovës.

“Deklarata e Vuçiqit tregon që ai e kontrollon sistemin e drejtësisë dhe që sulmet ndaj policëve të Kosovës nuk paraqesin krime për Serbinë dhe ato kësisoj inkurajohen nga vetë kreu i shtetit atje”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i ekzekutivit, Arlind Manxhuka.

Në fillim të javës, Vuçiq deklaroi se Radoiçiq – i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 2023 – ndaj të cilit është lëshuar njoftim i kuq nga Interpol-i, nuk po ndiqet penalisht për ndonjë krim.

“S’keni thënë pse Millan Radoiçiq është në njoftim të kuq. Nuk është për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës”, tha udhëheqësi serb.

Ndonëse ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës, Radoiçiq është i lirë në Serbi, me adresë të regjistruar në Beograd. Serbia nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë ndaj tij.

Megjithatë, ndaj tij është lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar nga Interpol-i, me kërkesë të Kosovës, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Manxhuka tha se Qeveria në detyrë e Kosovës kërkon nga faktori ndërkombëtar që të dënojë “këtë degradim të mëtutjeshëm në sjellje të shtetit të Serbisë”.

“Deklarime të tilla dëshmojnë se Serbia nuk ka ndërruar mendje karshi Republikës së Kosovës dhe se kjo mendësi paraqet rrezik për paqen në rajon dhe më gjerë”, tha ai.

Zëdhënësi shtoi se për Kosovën ka qenë e qartë që sabotimi dhe luftimi i sundimit të ligjit në veriun, e banuar me shumicë serbe, “organizohet dhe dirigjohet nga Serbia”.

“Fakti që ky grup [që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit] u organizua, ushtrua, përgatit dhe në fund u fut nga Serbia në Kosovë, por edhe u armatos me armë zyrtare të shtetit të Serbisë, të dëshmuar edhe evidentuar në provat e gjetura në terren, tregon qartë se Serbia ishte mbrapa dhe sipër”, tha ai.

Kosova e konsideron sulmin në Banjskë si terrorist dhe e fajëson Serbinë për të. Por, Beogradi mohon çdo përfshirje.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për sulmin në Banjskë dhe në mesin e 45 personave të akuzuar është edhe Radoiçiqi, i cili përshkruhet si “kreu i grupit terrorist”.

Për këtë rast, më herët gjatë këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi tre persona: dy prej tyre me burgim të përjetshëm dhe një me 30 vjet burgim.

Të akuzuarit e tjerë ndodhen në arrati dhe për ta Kosova ka lëshuar fletarrestime përmes Interpol-it. Kosova vazhdimisht kërkon që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin për t’u përballur me drejtësinë. Në kohën e sulmit në Banjskë, Radoiçiqi ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ndërkaq i kërkojnë Beogradit që të ndjekë penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë.

Gjykata shqipton dëbim, ndalim hyrjeje në Kosovë dhe gjoba për të ndaluarit në Gazimestan

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e dëbimit dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë për tre vjet, si dhe gjoba për personat e ndaluar në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit, më 28 qershor, të cilët akuzoheshin për “shkaktim të trazirave dhe cenim të rendit dhe qetësisë publike”.

Masa e dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë vlejnë për shtetasit e huaj që nuk posedojnë dokumente të Kosovës.

Policia e Kosovës kishte ndaluar 37 persona, por para gjykatës u proceduan 36 prej tyre. Ata janë kryesisht nga Serbia dhe vendet e rajonit dhe të ndaluarve u ishin konfiskuar dokumentet personale deri në shpalljen e aktgjykimit.

Gjyqtarja e çështjes, Naime Krasniqi, tha se dokumentet nuk do t’u kthehen të 36 personave derisa ta paguajnë gjobën prej 700 eurosh.

Ajo e arsyetoi vendimin e gjykatës për t’i shpallur fajtorë me faktin se të akuzuarit kishin brohoritur “Kosova është Serbi” dhe duke ngritur tre gishtat lart, gjë që, sipas Krasniqit, konsiderohet mesazh nacionalist.

Ajo theksoi se Policia e Kosovës, para fillimit të shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, i kishte paralajmëruar të pranishmit se ishte e ndaluar shfaqja e çdo simboli që nxit “urrejtje ndëretnike, fetare ose politike”.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit mblidhen tradicionalisht çdo 28 qershor në Gazimestan për të shënuar Vidovdanin, që është edhe festë fetare, në përkujtim të betejës kundër Perandorisë Osmane më 1389.

Ndërkohë, në opinion janë shfaqur pretendime se personat e ndaluar gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan janë keqtrajtuar “psikologjikisht dhe fizikisht” nga zyrtarët policorë të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë bërë të ditur se do t’i hetojnë këto pretendime, ato sipas detyrës zyrtare, megjithëse thanë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë lidhur me ngjarjet në Gazimestan.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe ka dënuar ndalimet gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, duke e vlerësuar këtë si një “akt të turpshëm dhe të padenjë represioni”.

Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që udhëheqësi i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, mbajti atje në vitin 1989.

Ky fjalim shpesh përmendet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Jusuf Buxhovi: Ka akademik që ka marrë deri në 7 mijë euro në muaj e s’kemi një libër kredibil për historinë e Kosovës

Historian Jusuf Buxhovi, ka shprehur kritikat për Akademinë e Shkencave të Kosovës se nuk e kanë sjellë një libër kredibil për historinë e Kosovës që do të mund të përkthehej e të zinte vend në arkiva të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo vendeve të tjera, e në anën tjetër kanë siguruar paga deri në 7 mijë euro në muaj.

Sipas tij, pagat e mëditjet në Kosovë, janë më të lartat ndonëse shkencë në vendin tonë nuk bëhet.

Ai në emisionin “Konfront” në KTV, ka deklaruar se akademia është mbushur me militantë partiakë nga subjektet politike ndërsa janë vendosur kritere të moshës përmes ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës para disa vitesh.

Sipas Buxhovit, në bazë të ligjit, nuk mund të anëtarësohet askush mbi moshën 65 vjeç, çka i lë mënjanë shumë akademikë e historianë.

“E kam parë që një akademik që i ka marrë katër vjet nga 7 mijë euro në muaj me angazhimin në parti, në akademi, institute, fakultete e tjera. Ata kanë shikuar vetëm interesin e vet, janë komod, marrin pagë 2-3 mijë euro në muaj. Honoraret janë katër fish më të larta se të shkencëtarëve të tjerë sado që këtu shkencë nuk bëhet ose bëhet shumë pak”, ka thënë Buxhovi.

Historiani Buxhovi ka thënë se është përballur me kritika që në mënyrë individuale ka botuar libra të cilët kanë depërtuar në botë.

“Unë personalisht jam përballur me kritika për librat që në mënyrë individuale i kam botuar. Pse një institut që i punëson nga 30 apo 40 persona marrin paga mesatare deri në 1 mijë e 700 euro. Në akademi e kanë edhe shtesën prej më shumë se 1 mijë euro. Pse ta prishë ai komoditetin e tij për të sjellë diçka”, ka potencuar Buxhovi në KTV.

Buxhovi ka deklaruar se për dallim nga Kosova, ndryshe po vepron Serbia në këtë aspekt.

“Skandaloz është libri që e ka bërë Instituti këtu. Komplet merret qëndrimi i histografisë serbe për shtetin mesjetar serb. Më duket e kanë tërheqë atë libër. Problemi është se në 25 vjetët e fundit, Serbia çdo vit boton 5-6 libra për të ashtuquajturën trashëgimin shpirtërore. Para dy viteve ka botuar një alamet monografie në SHBA në gjashtë gjuhe për Kishat Ortodokse Serbe në Kosovë, me 60 bashkëpunëtorë të huaj. Libër i përgatitur në mënyrë të shkëlqyeshme ndonëse propagandë. E në Kosovë as edhe një simpozium”, ka thënë Buxhovi.

Më shumë se një verdikt për Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin

Nga e majta: Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi. Mbi ta rëndojnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat vetë ata i kanë mohuar.

 

Valona Tela

Për vite me radhë, lufta e Kosovës është rrëfyer përmes historisë, politikës dhe kujtesës kolektive. Së shpejti, asaj do t’i shtohet edhe një kapitull gjyqësor.

Dhomat e Specializuara në Hagë – të njohura si Gjykata Speciale – pritet të shpallin aktgjykimin për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që pretendohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.

Fillimisht, Trupi Gjykues kishte afat deri më 19 maj për të shpallur vendimin. Por, duke u thirrur në kompleksitetin e rastit, ai vendosi ta shtyjë këtë afat deri më 20 korrik 2026.

Kjo datë, po ashtu, mund të mos jetë përfundimtare.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Dhomat e Specializuara thanë se mund të ketë ende ndryshime në afatet e parashikuara.

“Gjyqtarët mund të vendosin për një shtyrje tjetër, nëse ajo konsiderohet absolutisht e nevojshme. Sapo paneli të caktojë një datë për shpalljen e vendimit, ne do ta bëjmë të ditur”, thuhet në përgjigje.

Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tij – të gjithë figura të larta të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 – ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u bë publike aktakuza kundër tyre.

Në atë dosje, ata përshkruhen si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe largimit të kundërshtarëve.

Sipas aktakuzës, viktimat e tyre përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në. Së paku 102 persona dyshohet se u vranë, ndërsa më shumë se 20 mbeten të zhdukur.

Prokuroria pretendon gjithashtu se të akuzuarit, për shkak të pozitave të tyre drejtuese, mbajnë përgjegjësi edhe për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Sot, mbi tre vjet pas nisjes së gjykimit, trupi gjykues ka dëgjuar dhjetëra dëshmitarë dhe ka shqyrtuar qindra prova të paraqitura nga prokuroria dhe mbrojtja.

Në përfundim të procesit, prokuroria kërkoi dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej katër të akuzuarve.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar vendim dënimi për të dhjetë pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 vjetësh, bazuar në kontributet individuale në krime…”, tha prokurorja e specializuar, Kimberly West, më 9 shkurt 2026.

Të katërtit i kanë mohuar akuzat.

Thaçi, i cili gjatë viteve ka mbajtur postet e kryeministrit dhe presidentit të Kosovës, i ka cilësuar ato si “krejtësisht të pavërteta, absurde dhe thellësisht fyese”.

“Është e vërtetë e dhimbshme që kjo prokurori përpiqet t’i hedhë poshtë dëshmitë e zyrtarëve të lartë të NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe OKB-së në këtë gjykatë – të atyre dhe njerëzve të tyre që ishin tërë kohën bashkë me ne në terren”, ka thënë Thaçi duke iu drejtuar gjykatës më 18 shkurt 2026.

Në mbështetje të mbrojtjes kanë dëshmuar disa prej figurave më të njohura të diplomacisë dhe sigurisë perëndimore të kohës së luftës, përfshirë ish-zëdhënësin e Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-komandantin e NATO-s për Evropën, Wesley Clark.

Ata kanë deklaruar se UÇK-ja nuk funksiononte si një strukturë e centralizuar dhe se të akuzuarit kishin më pak ndikim dhe kontroll sesa pretendohet në aktakuzë.

Ky është një qëndrim që ndan edhe një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë t’i shohin Thaçin dhe bashkëluftëtarët e tij si figura të luftës çlirimtare.

Në disa raste, ata kanë protestuar kundër gjyqit, duke e konsideruar atë të padrejtë dhe të njëanshëm.

Për një pjesë të tyre, përfshirë edhe përfaqësues politikë, përqendrimi i Gjykatës vetëm te krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së krijon perceptimin e barazimit të luftës së Kosovës me krimet e kryera nga Serbia, e cila ishte shteti agresor gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Sytë tani janë te gjyqtarët – cili do të jetë verdikti?

Përgjigjja nuk është e njëjtë as mes juristëve dhe studiuesve që e kanë ndjekur nga afër procesin. Disa presin aktgjykim lirues, të tjerë shmangin çdo parashikim, ndërsa ka edhe nga ata që shohin disa skenarë të mundshëm.

Për avokatin e licencuar në Dhomat e Specializuara, Artan Qerkini, Prokuroria nuk ka arritur të provojë dy shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet aktakuza: ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe përgjegjësinë komanduese të të akuzuarve. Për këtë arsye, ai pret që të katërtit të shpallen të pafajshëm.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një ushtri vullnetare dhe nuk ka pasur hierarki strikte. Pjesëtarët e saj i janë bashkuar me vullnetin e tyre, nuk kanë qenë ushtarë profesionistë dhe nuk kanë pasur detyrime që t’i qëndronin luftës deri në fund. Në rrethana të tilla, nuk mund të thuhet se ka ekzistuar kontroll efektiv në terren, që është një nga bazat për përcaktimin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, thotë Qerkini për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, jo të gjithë janë të gatshëm të nxjerrin përfundime për rezultatin.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Middlesex të Londrës, William Schabas, thotë se procese të kësaj natyre shpesh vendosen nga detaje të caktuara të provave, të cilat nuk janë gjithmonë të dukshme për publikun.

“Gjyqtarët që po e shqyrtojnë këtë rast, nuk janë nga Kosova. Ata nuk janë të shkëputur nga realiteti politik i Kosovës, sepse ai është pjesë e çështjes që po gjykohet. Por, ata janë të pavarur dhe të paanshëm. Mendoj se shqetësimet apo ndjeshmëritë që mund të shkaktojë vendimi i tyre, nuk ndikojnë në punën e tyre – ata do të vendosin mbi bazën e fakteve dhe provave që kanë para vetes”, thotë Schabas për Exposenë.

Si hulumtuese prej vitesh e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë dhe vëzhguese e afërt e procesit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Nevenka Tromp nuk e përjashton asnjë mundësi.

Sipas saj, ekzistojnë tre skenarë: shpallja e pafajësisë për të katërtit, dënimi i të katërtve, ose një rezultat i përzier, ku disa mund të dënohen e disa të lirohen.

Pikërisht të tretin ajo e sheh si më të mundshmin.

“Kjo gjykatë do të duhet të ruajë një lloj ekuilibri mes pritjeve të palës serbe dhe asaj kosovare. Për këtë arsye, ka gjasa që disa të akuzuar të shpallen të pafajshëm dhe disa të dënohen. Mbetet të shihet nëse do të lirohet një apo do të dënohet një… apo ndonjë kombinim tjetër. Por, do të ketë kompromis”, thotë Tromp për Exposenë.

Vëmendja e Trompit nuk ndalet vetëm te rezultati. Ajo argumenton se gjatë zhvillimit të procesit, ka pasur shqetësime serioze lidhur me standardet procedurale, përfshirë kohëzgjatjen e paraburgimit dhe mënyrën e zbatimit të prezumimit të pafajësisë. Ajo vëren se kritika të ngjashme janë ngritur edhe nga Këshilli i Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit.

Raporti paraprak i këtij mekanizmi, i publikuar më 11 maj, ngriti shqetësime për kohëzgjatjen e paraburgimit, kufizimet në lirimin e përkohshëm, pranimin e provave dhe barazinë mes prokurorisë dhe mbrojtjes gjatë procesit gjyqësor.

Se si do të ndikojnë këto kritika në perceptimin e aktgjykimit mbetet për t’u parë. Sepse, për një pjesë të ekspertëve, verdikti është vetëm një pjesë e historisë. Pjesa tjetër fillon pasi ai të shpallet, në mënyrën se si do të lexohet dhe interpretohet në Kosovë dhe më gjerë.

Këtu e vendos fokusin edhe sociologu dhe profesori në Universitetin e Londrës, Eric Gordy.

Sipas tij, një nga dobësitë më të mëdha të Dhomave të Specializuara ka qenë komunikimi me publikun. Në vend që qytetarëve t’u shpjegohej më shumë se procesi kishte të bënte me përgjegjësinë individuale, hapësira publike u mbush me interpretime politike, ku gjykimi u paraqit si një përballje mes palëve ndërluftuese dhe jo si proces penal ndaj individëve.

“Kush nuk do të donte të arrinte drejtësi historike? Por, unë do të doja që gjyqtarët të përqendroheshin më shumë te drejtësia juridike, ndërsa historianët dhe filozofët të merreshin me drejtësinë historike”, thotë Gordy për Exposenë.

Gordy nuk pret që aktgjykimi të sjellë një narrativ të përbashkët për luftën në Kosovë. Përkundrazi – interpretimet, sipas tij, do të vazhdojnë të ndryshojnë, sepse ato ndërtohen mbi përvoja, kujtesë kolektive dhe këndvështrime të ndryshme politike e shoqërore.

Për këtë arsye, ai e sheh dialogun mes vetë shoqërive si rrugën më të besueshme për t’u përballur me të kaluarën.

“Duhet ta ndajmë historinë nga politika dhe të nxisim një dialog, ku njerëzit në secilin shtet flasin edhe për përgjegjësitë e atyre që i kanë përfaqësuar. Ndarja e njerëzve në heronj dhe armiq nuk i shërben askujt”, sipas Gordyt.

Profesori Schabas është gjithashtu skeptik se një vendim gjyqësor mund të prodhojë pajtim.

Duke iu referuar përvojës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ai thotë se edhe pas dhjetëra aktgjykimeve dhe më shumë se dy dekadash punë, ndikimi i tij në afrimin e shoqërive të rajonit mbetet i kufizuar.

Sipas Schabasit, një skenar i ngjashëm mund të përsëritet edhe pas vendimit të Dhomave të Specializuara.

“Nëse aktgjykimi është kundër tyre, do të ketë njerëz që nuk do ta pranojnë lehtë. Thjesht, për shkak të besnikërisë dhe bindjeve të tyre, jo për shkak të një vlerësimi të ftohtë e të paanshëm të ligjit”, thotë ai.

Për Qerkinin, një aktgjykim dënues do të kishte peshë përtej përgjegjësisë individuale. Ai thotë se fakti që Gjykata ka trajtuar vetëm krimet e pretenduara të UÇK-së, ka ushqyer perceptimin e një drejtësie selektive, me pasoja të mundshme edhe për mënyrën se si do të perceptohet lufta e Kosovës.

“Mund të ndikojë negativisht në perceptimin për UÇK-në, ngase të akuzuar janë krerët e UÇK-së. Pra, UÇK-ja nuk është përbërë nga armatimi dhe logjistika, por nga njerëzit. Dhe, këta njerëz të akuzuar kanë qenë krerët e UÇK-së dhe, domosdo, mund të kriminalizohet e gjithë UÇK-ja”, thotë Qerkini.

Tromp shkon edhe më larg – perceptimi për UÇK-në nuk është i vetmi në lojë.

Ajo argumenton se një aktgjykim dënues mund të ndikojë edhe në mënyrën se si do të rrëfehet shtetësia e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke i dhënë Serbisë dhe vendeve skeptike më shumë hapësirë për të sfiduar legjitimitetin moral të luftës së saj çlirimtare.

Kjo, sipas saj, mund ta vendosë Kosovën në një pozitë më të vështirë në betejat diplomatike për njohje, si dhe në raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Shoqëria e Kosovës dëshiron të pranohet në kontekstin politik evropian. Ajo dëshiron të ecë përpara dhe të ndërtojë të ardhmen e saj. Por, ky proces rrezikon ta mbajë të lidhur me të kaluarën dhe të vërë në dyshim qëllimet e mira dhe rezultatin që synon të arrijë kjo gjykatë”, thotë Tromp.

E themeluar nga Kuvendi i Kosovës, Gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor të vendit, por vepron në Hagë me gjyqtarë ndërkombëtarë.

Ajo pasoi raportin e ish-senatorit zviceran, Dick Marty, të vitit 2010, i cili ngriti pretendime për krime të rënda të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë trafikimin e organeve.

Meqë këto të fundit nuk u vërtetuan dhe nuk janë pjesë e aktakuzës aktuale kundër Thaçit dhe të tjerëve, Qerkini thotë se Kosova është “mashtruar”.

KQZ-ja shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të qershorit, hap rrugën për certifikimin e tyre

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor, duke hapur rrugën për certifikimin e tyre zyrtar dhe nisjen e procesit të themelimit të institucioneve të reja për t’i dhënë krizës pothuajse dyvjeçare politike.

Rezultatet përfundimtare u shpallën të shtunën në një mbledhje të KQZ-së në Prishtinë.

Certifikimi i tyre pritet të bëhet të hënën, kur përfundon një periudhë ankesash prej 48 orësh, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë mbledhjes së komisionit.

Sipas rezultateve përfundimtare, partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), i ka fituar 47.13% të votave, apo 53 vende në Kuvendin me 120 sosh.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka fituar 19.44%, apo 22 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 16.69% , apo 18 ulëse; dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.74%, apo shtatë ulëse.

Çfarë tani?

Tani që u shpallën rezultatet përfundimtare, komisioni zgjedhor do të presë deri të hënën në mesditë për ndonjë ankesë të mundshme dhe, nëse nuk ka të tilla, do t’i certifikojë këto rezultate.

Certifikimi nënkupton se mund të fillojë procesi për bërjen e Kuvendit të ri dhe formimit të Qeverisë së re.

Duke parë numrin e ulëse të fituara, partia në pushtet nuk pritet ta ketë telash formimin e Qeverisë, për çka nevojiten 61 vota në Kuvendin me 120 ulëse.

Por, ajo nuk do t’i ketë votat për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, një çështje që ka shkaktuar krizë politike këtë vit.

Nevojitet prania e 2/3 të deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Dështimi i partive për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit çoi në shpërndarjen e Kuvendit në fund të prillit – më pak se tre muaj pas konstituimit të tij – dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 7 qershor.

Deri tani partitë politike nuk kanë mbajtur bisedime për një marrëveshje të mundshme për presidentin.

Një dështim i radhës për të arritur pajtueshmëri për këtë post kryesisht ceremonial, mund të çojë në një palë zgjedhjesh të tjera të parakohshme – që do të ishin të katërta brenda dy vjetësh.

Kërkoj nga palët të të respektojnë organet e partisë dhe të ballafaqohen në forumet e LDK-së Nga Fazli Hajdaraj, Zyrtar dhe veprimtar i LDK-së që nga themelim i saj

REAGIM PUBLIK

Rikthimi i Vjosa Osmanit kërkonte debat të hapur dhe vendimmarrje institucionale, jo imponime apo kalkulime të ngushta politike.

Si veprimtar dhe zyrtar i vjetër i LDK-së, që kam ushtruar funksione të ndryshme ndër vite dhe kam kontribuar në kohë të vështira e vendimtare për partinë, ndjej obligim moral dhe politik të reagoj ndaj gjëndjes së krijuar së fundmi në LDK.

Është e papranueshme që çështje kaq të ndjeshme dhe me pasoja për të ardhmen e partisë të trajtohen me improvizime, deklarata emocionale dhe luftëra në rrjetet sociale. Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK është një temë për të cilën, sipas shumë zërave brenda partisë, nuk ka pasur pajtim të gjerë dhe është e qartë se një pjesë e konsiderueshme e anëtarësisë nuk e ka mbështetur një qasje të tillë. Kjo kërkonte debat të hapur dhe vendimmarrje institucionale, jo imponime apo kalkulime të ngushta politike.

Nga ana tjetër, po aq të papranueshme janë kërkesat e degëve të Pejës, Lipjanit dhe Degës së Dytë në Prishtinë për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku përmes rrjeteve sociale dhe deklarimeve publike. Nëse ekzistojnë pakënaqësi reale, LDK ka organe, statut dhe mekanizma të qartë për trajtimin e tyre. Nuk mund të kërkohet përgjegjësi institucionale duke shkelur vetë parimet institucionale.

LDK nuk mund të shndërrohet në arenë për hesapet personale të askujt. Ata që marrin vendime pa konsultim të gjerë gabojnë rëndë, por po aq gabojnë edhe ata që kërkojnë rrëzimin e lidershipit përmes Facebook-ut e mediave, duke dëmtuar imazhin e partisë para qytetarëve. Të dyja palët po kontribuojnë në dobësimin e LDK-së dhe po largojnë vëmendjen nga problemet reale me të cilat përballet Kosova.

Sot, më shumë se kurrë, LDK ka nevojë për maturi, përgjegjësi dhe respekt për institucionet e saj. Kushdo që mendon se mund ta marrë peng partinë për interesa personale apo grupore duhet ta kuptojë se LDK është më e madhe se çdo individ, qoftë ai kryetar, ish-funksionar apo drejtues dege.

Prandaj, kërkoj nga të gjitha palët të ndalin menjëherë luftën publike, të respektojnë organet e partisë dhe të ballafaqohen me argumente aty ku e kanë vendin – në forumet e LDK-së. Çdo veprim tjetër është papërgjegjësi politike dhe tradhti ndaj besimit që anëtarësia dhe elektorati i kanë dhënë ndër vite kësaj force politike.

LDK nuk ka nevojë për spektakle, por për përgjegjësi. Nuk ka nevojë për luftëra klanore, por për unitet. Dhe mbi të gjitha, nuk ka nevojë për njerëz që e përdorin partinë për interesat e tyre, por për njerëz që i shërbejnë asaj me dinjitet dhe ndershmëri.

Fazli Hajdaraj

Zyrtar dhe veprimtar i LDK-së që nga themelim i saj.

24 Qershor 2026.

Degët e LDK po kërkojnë që Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i hyjë procesit të përgjithshëm zgjedhor, nga nëndegët deri te Kryetari Nga Skënder Zogaj, Veteran i LDK-së

LDK-ja DUHET T’I KTHEHET ANËTARËSISË

Partia historike e Kosovës, arritja më e sinqertë dhe vlera më e kristaltë e fatit politik të popullit shqiptar në Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare, Lidhja Demokratike e Kosovës, tash e më shumë se një dekadë po përjeton një krizë të rëndë, të panevojshme dhe të turpshme. Përgjegjësia bie mbi udhëheqjen e saj më të lartë, e cila, pa meritë politike e morale, ka uzurpuar drejtimin e partisë dhe po e rrënon, dita-ditës, bërthamën demokratike të LDK-së, njëherësh edhe shtyllën më të fortë të demokracisë shqiptare në Kosovë.

Kurora e kësaj krize u pa qartë në zgjedhjet e fundit komunale dhe republikane. LDK-ja jo vetëm që ra në pozitën e tretë, por humbi në mënyrë të mjerueshme substancën e saj elektorale, duke pësuar goditjen më të rëndë në historinë e saj politike.

Kjo është gjendja reale e LDK-së. Pikërisht për këtë arsye reagimet e shumta të anëtarësisë dhe të strukturave partiake janë të drejta, legjitime dhe të domosdoshme. Situata mund të bëhet fatale nëse përgjegjësit, në të gjitha hallkat e organizimit partiak, vazhdojnë të bëjnë sikur nuk e kuptojnë se janë bartësit kryesorë të përgjegjësisë për humbjen e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026. Ata duhet të marrin përgjegjësi politike e morale dhe t’i hapin rrugë një procesi të ri zgjedhor, nga kryetari Lumir Abdixhiku e deri te aktivet më të vogla lokale.

Nuk ka rrugë tjetër. Zgjidhja është vetëm një: zgjedhje të reja të brendshme, me votën e lirë të anëtarësisë, sipas parimit demokratik “Një anëtar – një votë.”

Prandaj nuk është rastësi që degët e LDK-së, këto ditë, njëra pas tjetrës, po ngrihen në mbrojtje të demokracisë së brendshme dhe po kërkojnë hapjen e menjëhershme të procesit zgjedhor.

Kërkesa e tyre është e prerë:

“Me unanimitet të anëtarëve të Kryesisë së Degës u vendos që Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i hyjë procesit të përgjithshëm zgjedhor, nga nëndegët deri te Kryetari.”

Kjo është një kërkesë plotësisht legjitime dhe e parefuzueshme. Kryesia Qendrore e LDK-së duhet ta miratojë menjëherë, pa asnjë vonesë. Data 15 gusht duhet të shpallet dita e nisjes së procesit zgjedhor në të gjitha strukturat e partisë, ndërsa nga 30 gushti deri më 15 tetor të zhvillohen zgjedhjet në degë. Më së largu deri në fund të tetorit duhet të konstituohet Këshilli i Përgjithshëm dhe të zgjidhet Kryesia e re Qendrore e LDK-së.

Reagimet dhe kërkesat e degëve duhet t’i pranojë dhe t’i mbështesë personalisht kryetari Lumir Abdixhiku, pa u fshehur pas debateve e polemikave mediatike. Ai e mori drejtimin e LDK-së duke premtuar reformë të thellë partiake, rikthim te demokracia e brendshme dhe zbatim të vullnetit rugovian të anëtarësisë. Prandaj nuk ka të drejtë morale ta nxjerrë LDK-në nga autostrada politike e Ibrahim Rugovës për ta futur në rrugica të improvizuara, pa orientim e pa perspektivë, që nuk shpijnë askund.

Koha e arsyetimeve ka përfunduar. Ka ardhur koha e përgjegjësisë. Nëse LDK-ja dëshiron të mbijetojë si parti historike dhe si shpresë politike e shqiptarëve, ajo duhet t’i kthehet menjëherë pronarit të saj të vetëm: anëtarësisë.

Skënder Zogaj

Veteran i LDK-së dhe themelues e kryetar i parë i Degës së parë të LDK-së në Fushë Kosovë.

Agim Veliu: Kërkesat për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut janë plotësisht legjitime dhe të drejta

Agim Veliu, ish-nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i përshkroi kërkesat e disa degëve lokale për dorëheqjen e kryetarit të partisë Lumir Abdixhiku si legjitime dhe të justifikuara. Në një postim në Facebook, Veliu deklaroi se Abdixhiku duhet të marrë përgjegjësinë për dështimet zgjedhore. Nën udhëheqjen e Abdixhikut, LDK mori afërsisht 17 përqind të votave më 7 qershor, duke e lënë atë partinë e tretë. Në të tre rastet gjatë mandatit të tij si kryetar i partisë, LDK mbeti forca e tretë.

Ja reagimi:

“Kërkesat për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut janë plotësisht legjitime dhe të drejta. Ato burojnë nga fakti se ai mori përsipër meritat për çdo sukses të pretenduar, prandaj duhet të marrë përsipër edhe përgjegjësinë për dështimin.

Nën drejtimin e tij, LDK-ja mbeti e ngujuar në vendin e tretë, pa arritur të rikthehet si alternativë serioze për pushtet, pavarësisht premtimeve të mëdha dhe kontrollit të plotë mbi partinë.

Pas disa cikleve zgjedhore pa rezultatet e premtuara, qëndrimi në krye të partisë pa reflektim politik shihet si mungesë përgjegjësie dhe pengesë për reformimin e LDK-së.

Edhe më shqetësues ishte reagimi arrogant i Abdixhikut ndaj kryetarëve të Lipjanit, Pejës dhe një dege të kryeqytetit, të cilët kërkuan dorëheqjen e tij.

Në vend se të reflektonte mbi kritikat, ai reagoi duke kërkuar dorëheqjen e dy kryetarëve të degëve që kanë fituar vazhdimisht zgjedhjet në komunat e tyre, ndërsa vetë refuzon të japë llogari për rezultatet e partisë në nivel qendror.

Duke u sjellë si pronar partie e jo si kryetar i zgjedhur, Abdixhiku po dërgon mesazhin se në LDK ndëshkohen ata që kërkojnë llogaridhënie, jo ata që dështojnë.

Kur një lider kërkon të heshtë kritikët, të ndëshkojë fituesit dhe të mbrojë veten nga përgjegjësia politike, problemi nuk është më vetëm rezultati zgjedhor. Problemi është mënyra se si ai e kupton demokracinë, debatin e brendshëm dhe vetë funksionimin e partisë.”


Send this to a friend