VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

DW: Dramë politike në Kosovë në kohën e rritjes së pandemisë COVID-19

By | March 24, 2020
blank

Komentet

blank

Flet Jorida Tabaku – Nënkryetarja e PD: Vendimi i DASH për Berishën, i padrejtë

 

“Vendimi i kreut të DASH për të shpallur non grata ish-kryeministrin Sali Berisha është i padrejtë”.

Deklarata është bërë nga nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku gjatë një interviste të dhënë për News24.

Tabaku është shprehur se ky vendim është i imponuar.

Sipas saj, edhe vendimi i përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i PD-së është një vendim i imponuar nga jashtë.

Duke komentuar nismën e ish-kryeministrit për takimet me anëtarësinë sipas saj nuk e dëmton PD-në.

“Nisma e Sali Berishës për takimet me anëtarësinë nuk e dëmton partinë sepse ajo po bëhet brenda strukturave te PD-së”, ka thënë Jorida Tabaku.

Pjesë nga intervista e Jorida Tabakut:

Përjashtimi i Berishës, ishte i duhuri?

Jorida Tabaku: Nuk ishte e lehtë për të marrë këtë vendim, sepse bëhet fjalë për Sali Berishën, për personin që ka pasur arritjet më të mëdha që i njohin të gjithë ata që i kanë prekur. Përveç infrastrukturës, rritjes së pagave, duhet të përmend anëtarësimin në NATO-n. Vendimi i z.Bashës megjithëse i vështirë nuk i heq asgjë trashëgimisë që z.Berisha kishte dhe ka në PD, ndikimit që ai kishte dhe në politikë. Për shumë të rinj si mua nuk i heq asgjë respektit që kemi për të besoj dhe shumë shqiptar.

A mund të vepronte ndryshe zoti Basha, a do të ishte dorëheqja e tij një zgjidhje?

Jorida Tabaku: E thashë që nuk kishte mënyrë të lehtë për të marrë një vendim të vështirë, që ishte i imponuar, një fakt i kryer. Ka qenë vendim që erdhi nga një aleat, nga partner. Ky vendim ishte fakt i kryer, ishte i detyruar, i imponuar, ishte për të ardhmen e PD dhe për të mos cenuar marrëdhënien e PD me aleatin tonë. Unë e kam shumë të vështirë të flas për këtë çështje, siç e kanë shumë persona që kanë punuar me Sali Berishën. Ky vendim i imponuar ka patur parasysh të ardhmen e PD, të ardhmen e Shqipërisë.

Në takimin me Reeker është kërkuar qartë që duhej përjashtuar Berisha?

Jorida Tabaku: Ambasada amerikane ka nxjerrë një njoftim për atë takim. Komenti im i vetëm është që ky vendim i padrejtë për zotin Berisha nga SHBA-të do të ketë mbështetje e PD për ta ndjekur në rrugë ligjore dhe për të mos cënuar dinjitetin e z.Berisha.

Ai e konsideron nul atë, sepse u thye statuti, nuk u respektuan strukturat. E nisur nga kjo ai thotë se s’jam i përjashtuar, por thotë që jam aty dhe do të bëj më të mundurën për të rikthyer demokracinë në parti. A duhet të ishte hedhur në votë ky vendim?

Jorida Tabaku: Zoti Basha ndërmori një vendim të tillë për të mos krijuar probleme me militantët. Zoti Berisha gjithmonë ka pasur në çdo vendim dhe veprim të tillë çështjen e shqiptarëve, kombit shqiptar dhe si të përmirësohet puna brenda PD, gjithçka që ai do të bëj është në ketë kuadër. Me zotin Berisha neve na bashkon lufta kundër Edi Ramës, asgjë tjetër. Mendoj se strukturat e PD do kenë kohë të flasin. Kushdo nga ne që është në PD, ka në interes vetëm forcimin e partisë. Besoj se do kemi kohë të gjithë të shikojmë me fokusin tek e ardhmja dhe te forcimi i PD.

Do ta keni më të lehtë apo më të vështirë tani që nuk është Berisha?

Jorida Tabaku: Nuk flas keq për ndonjë personazh dhe aq më tepër për Berishën. Mendoj se PD ka vend për të gjithë, do të dalë më e fortë pas këtij diskutimi dhe do të shohë nga e ardhmja.

blank

Eksperti i mjedisit – VIDEO/ Mans Nilsson në SYRI TV: Tirana ndër qytetet më të ndotura të Europës, shkak ndërtimet pa kriter

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Mjedisit në Suedi, Mans Nilsson, në një intervistë me moderatoren Armela Ferko, foli për pasojat në natyrë për shkak të ndërtimeve në Tiranë.

Nilsson theksoi se kryeqyteti shqiptar është ndër qytetet më të ndotur në Europë, duke shtuar se Tirana ka nevojë për parqe.

“Shqipëria duhet të shtojë sipërfaqen pyjore dhe jo të reduktojë atë. Shumë sipërfaqe pyjore është tkurrur në Shqipëri. Shqipëria duhet të bëjë më mirë, me ndihmën e BE-së. Tirana është ndër qytetet më të ndotura të Europës, duhet të përdoret energjia elektrike në vend të druve të zjarrit dhe të përdoren hapësirat e biçikletave.

Duhet të ketë sa më shumë parqe. Është vërtetuar se gjelbërimi bën që edhe jeta e njeriut të jetë më e shëndetshme. Para se të kaloni te incineratori, duhet të kaloni tek riciklimi. Incineratori krijon edhe ndotje toksike, duke dëmtuar shëndetin e njerëzve. BE sa duket ka ndryshuar mendim për përdorim të inceneratorëve në Shqipëri”, tha Nilsson.

Mans Nilsson thekson se ngrohja globale ka shtuar shumë rreziqe e ndaj duhet pasur kujdes.

“Na vijnë rreziqe të mëdha nga ngrohja globale. Do ketë stuhi dhe zjarre në Mesdhe. Janë shkrirë akujt në Antraktidë dhe aty ku ka shumë akuj, do kemi ngritje të nivelit të detit. Duhet menduar që të ndërtohen në infrastruktura, kundër mbytjeve dhe pasojave të tjera, duke ngritur edhe prita. Duhet të kemi sa më shumë bimësi, që të mos përkeqësohet situata nga ngrohja globale.

Duhet të kemi pakt global, për të ndërprerë shpyllëzimet. Duhet të mbillen pemë në zonat detare, të ndërhyhet në kanalizime, kemi nevojë për më shumë parqe në qytete. Infrastruktura turistike duhet të ndërtohet në bazë të rreziqeve që mund të përcjellë natyra. Shqipëria duhet të kuptojë kërcënimet e mundshme të ujërave dhe ndikimin që mund të kenë në bujqësi”, u shpreh Nilsson.

 

blank

Paradoksi i “epokës Merkel” në Ballkanin Perëndimor – Nga Ditmir Bushati

Për pak ditë, gjermanët do t’i drejtohen kutive të votimit për të përcaktuar përbërjen e re të Bundestagut. Për herë të parë që nga viti 1949, Kancelarja nuk kërkon të rizgjedhet. Ajo do të tërhiqet pas 16 vitesh dhe deri tani ky është i vetmi lajm i sigurtë. Gjithçka tjetër mbetet enigmë, pasi aritmetika elektorale bazuar në vrojtimet e opinionit publik është e larmishme dhe nuk përjashton asnjë koalicion të mundshëm për drejtimin e vendit. Interesant është fakti se rreth 50% e gjermanëve kanë votuar paraprakisht përmes postës. E lartë është fasha e të pavendosurve. Ndërsa pritet që shumica prej tre milion votuesve për herë të parë të anojë drejt të Gjelbërve.

Vështruar në këtë kontekst, është e vështirë të parashikosh nëse zgjedhjet parlamentare në Gjermani do të sigurojnë vazhdimësi apo ndryshim me “epokën Merkel”. Cilidoqoftë rezultati, në planin ndërkombëtar, qeveria e ardhshme duhet të trajtojë sfidën urgjente të margjinalizimit gjeopolitik me të cilën përballet BE-ja, në kushtet e një bote gjithnjë e më zeropolare.

Duhet theksuar se Merkel krijoi një mbështetje mbresëlënëse publike në Gjermani dhe një reputacion të padiskutueshëm në arenën ndërkombëtare, përfshirë rajonin tonë. Stili i politikës dhe vendimet e saj kanë reflektuar ndryshimet e rëndësishme që kanë ndodhur në shoqërinë dhe politikën gjermane, si dhe një dëshirë dërrmuese për të ruajtur status quo, për aq kohë sa është e mundur, e duke shmangur ndryshimet drastike.

Falë ushtrimit të “pushtetit të butë”, Merkel ka arritur të udhëheqë BE-në në kohë të vështira, duke përballuar krizën financiare që thelloi hendekun zhvillimor mes veriut dhe jugut të Europës; krizën e refugjatëve dhe përplasjet për nivelin e sundimit të së drejtës brenda BE-së, që thelloi ndarjen botëkuptimore mes perëndimit dhe lindjes së Europës; kërcënimet e sigurisë në lindje të Europës si pasojë e veprimeve të Rusisë dhe ato në jugun e kontinentit për shkak të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm; BREXIT; plasaritjet transatlantike, të cilat dolën më në pah me administratën e Presidentit Trump, dhe pandeminë.

Në disa raste, në funksion të ruajtjes së kohezionit brenda BE-së, Merkel-it i është dashur të tolerojë rrëshqitjen demokratike të evidentuar në disa vende anëtare të BE-së, apo dallgët nacionaliste të cilat kanë dëmtuar korpusin e vlerave dhe lirive mbi të cilat qëndron në këmbë ngrehina e BE-së. Situata brenda BE-së është projektuar në një mënyrë a tjetër edhe në Ballkanin Perëndimor, i cili mund të konsiderohet si oborri i saj.

Në këtë kontekst, largimi nga skena politike i Angela Merkel-it shoqërohet natyrshëm me pasiguri jo vetëm për Gjermaninë dhe Europën, por edhe për të ardhmen europiane të rajonit tonë. Nuk ka dyshim se Kancelarja Merkel, në nivel europian, është udhëheqësja më e interesuar dhe me nivelin e kuptimit më të plotë për Ballkanin Perëndimor. Vizitat e saj të herëpashershme në rajon, mesazhet e saj edhe në vizitën e lamtumirës në Beograd e Tiranë, nismat e prezantuara e të mbështetura prej saj për rajonin konfirmojnë rëndësinë që Gjermania i kushton anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ndonësë duhet pranuar se rajoni nuk bën pjesë në listën e përparësive kryesore të Gjermanisë.

Në vitin 2005, pak para së të zgjidhej Kancelare e Gjermanisë, Angela Merkel, do të deklaronte në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung se “me politikën e tanishme të zgjerimit, BE ka prekur limitin e aftësisë së saj për të integruar anëtarë të rinj”, duke kërkuar një fazë konsolidimi për BE-në para se kjo e fundit të mendonte për anëtarë të rinj.

Kjo klimë u reflektua në Strategjinë e Zgjerimit të nëntorit 2006, ku Komisioni Europian për herë të parë prezantoi benchmarks (kushte) si një instrument për të përmirësuar e monitoruar cilësinë e reformave gjatë procesit të anëtarësimit. Pjesë integrale e kësaj strategjie ishte dhe raporti i posaçëm mbi aftësinë e BE-së për të pranuar anëtar të rinj, ku theksohej se zgjerimi nuk duhet të pengojë aftësinë e BE-së për të thelluar procesin e integrimit dhe rritur efikasitetin e institucioneve të saj.

Për herë të parë në kornizën negociuese të vitit 2005 për Kroacinë dhe Turqinë u prezantua një kapitull i veçantë, kapitulli 23 – gjyqësori dhe të drejtat themelore, që së bashku me kapitullin 24 – drejtësia, liria dhe siguria, mbulojnë një gamë të gjerë të çështjeve që lidhen me sundimin e së drejtës, kryesisht me reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë mënyrë, prezantimi i benchmarks dhe i kapitullit 23 rezultoi efektiv për Kroacinë, duke u bërë vendi i parë që u përball me qasjen e re dhe arriti me sukses t’i përmbyll negociatat dhe procesin e  anëtarësimit në BE.

Rëndësia e kapitujve 23 dhe 24 u përforcua nga Komisioni Europian, në Strategjinë e Zgjerimit të vitit 2011, ku u propozua një qasje e re përsa i përket prioritizimit të reformave në fushën e sundimit të së drejtës. Çështjet e sundimit të së drejtës u konsideruan si prioritare, e për rrjedhojë u vendos që kapitujt 23 dhe 24 të hapen të parët dhe të mbyllen të fundit, duke e shoqëruar të gjithë procesin e anëtarësimit.

Mali i Zi ishte i pari shtet që filloi bisedimet bazuar në këtë qasje të re.  Tek rasti i Serbisë, për shkak të insistimit të Gjermanisë, BE-ja përfshiu në kornizën negociuese elementë që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Për pasojë, bisedimet filluan me kapitullin 35, duke i dhënë një rëndësi të madhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, që do të pasohej me njohjen e ndërsjellë. Në rastin e Shqipërisë, reforma në drejtësi do të kthehej në parakusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Në mënyrë të pashprehur BE-ja me insistimin e disa vendeve anëtare të mbështetura nga Gjermania “themeloi” një praktikë të pashkruar sipas së cilës nuk mund të hapen më shumë se dy kapituj përgjatë një presidence gjashtë mujore. Franca, nga ana tjetër, për arsye kryesisht të brendshme, kërkoi reformimin e mëtejshëm të procesit të zgjerimit, duke e bërë procesin e anëtarësimit në BE edhe më kushtëzues, jo automatik, e thuajse të ndryshëm për nga etapat dhe kërkesat me atë që kaluan vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

Kësisoj, i gjithë procesi i anëtarësimit në BE të vendeve të rajonit ngeci. Më flagrant është rasti i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Megjithëse i kanë përmbushur standardet për të filluar bisedimet për anëtarësim që prej qershorit të 2018-ës, ende nuk i kanë nisur ato. Kosova edhe pse ka vite që i ka përmbushur reformat që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave vijon të jetë e izoluar. Një situatë e tillë me të drejtë shton pikëpyetjet për besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe nxit instiktet e së shkuarës, duke e mbajtur peng të ardhmen e rajonit.

Për të mos e lënë rajonin nën efektet e depresionit që mund të sillte mungesa e konkretizimit të procesit të zgjerimit, Kancelarja Gjermane shpalli në vitin 2014 “Procesin e Berlinit”, si një mundësi riangazhimi e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur vetë BE-ja ishte më shumë e fokusuar në adresimin e krizave të brendshme dhe ku konteksti gjeopolitik me krizën në Ukrainë kishte evoluar ndjeshëm.

Asokohe mbizotëronte frika se Procesi i Berlinit mund të shërbente si zëvendësues i procesit të anëtarësimit në BE. Gjermania nga njëra anë dhe vendet e rajonit nga ana tjetër këmbëngulnin që për rajonin nuk ka alternativë tjetër përveçse anëtarësimit në BE. Duhet pranuar se Procesi i Berlinit ndryshoi disi rutinën e formatit të zgjerimit dhe vendosi theksin tek bashkëpunimi rajonal gjithpërfshirës me nënshkrimin e deklaratës për adresimin e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe çështjeve të përfundimit të shtetësisë; me krijimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor bazuar mbi modelin franko-gjerman; Sekretariatit të Dhomave të Tregtisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor; dhe Zonës Ekonomike Rajonale, duke nxitur kështu marrëdhëniet ndërmjet agjentëve të ndryshëm shoqëror.

Në të njëjtën kohë, Procesi i Berlinit miratoi edhe agjendën e ndërlidhjes rajonale mes vetë vendeve të rajonit dhe me ato BE-së, me qëllim zbutjen e hendekut zhvillimor mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Përmes këtij procesi, Ballkani Perëndimor u vendos në hartën europiane të transportit dhe energjisë, ndonësë ende pa projekte të prekshme për qytetarët e rajonit dhe pa ndërlidhje me fqinjët pjesë e BE-së.

Po kështu, në Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian të 2018-ës, e cila u mbështet nga drejtuesit e vendeve Anëtare të BE-së dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofias, u përvijuan 6 nisma të tilla si: transporti, ndërlidhja energjitike, agenda digjitale, zhvillimi ekonomik e shoqëror, sundimi i së drejtës e siguria, dhe migracioni, më qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërsektorial.

Mirëpo shtatë vjet pas prezantimit të kësaj nisme mund të thuhet se ajo është larg pritshmërive fillestare, ashtu sikundër procesi i anëtarësimit në BE. Së pari, procesi nuk ka arritur të zbusë mosmarrëveshjet dypalëshe apo çështjet e përfundimit të shtetësisë, të cilat pengojnë potencialin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim më të thelluar, çka do të përkthehej në më shumë mirëqënie dhe rritje ekonomike. Në të kundërt, në rajon u shfaqën prirje e tentativa për t’iu kthyer ideve të vjetra që i jepnin përparësi territoreve përkundrejt njerëzve, revizionimit të historisë, mohimit të genocidit dhe krimeve barbare të luftës, njehësimit të fesë me kombin si instrument përçarës e sundues përkundrejt fqinjëve. Në zbrapsjen e këtyre tentativave, roli i Kancerales dhe Gjermanisë është i pazëvendësueshëm.

Së dyti, procesi nuk ka arritur të mobilizojë burimet e domosdoshme financiare për të adresuar hendekun ekzistues ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së që kanë impakt të drejtpërdrejtë në ndërlidhjen rajonale. Për shembull, për ciklin buxhetor 2021-2027, i cili reflektohet në Planin e Investimeve Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, vendet Anëtare të BE-së që rrethojnë rajonin tonë përfitojnë 11 herë më shumë fonde për frymë sesa vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo rrit pesimizmin tek qytetarët e rajonit, dhe shpie në humbjen e besimit për ndërtimin e një perspektive zhvillimore. Le ta themi troç, qytetarët nuk mund të ushqehen me kapituj, procedura burokratike të panumërta apo konferenca ndërqeveritare. Ato kanë nevojë të përqafojnë konkretisht zhvillimin e të bëhen kësisoj aktorë të transformimit rrënjësor të shoqërive tona.

Së treti, procesi nuk ka ofruar instrumente që përmirësojnë sistemin e qeverisjes, bazuar në sundimin e së drejtës, e as pronësinë ndaj reformave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është e qartë se shoqëritë tona mbeten në thelb shoqëri me institucione të brishta, jo funksionale dhe ku beteja kryesore nuk është aq shumë me infleuncën e aktorëve të tretë sesa me metastazat e krimit të organizuar e korrupsionit që gërryejnë themelet e shoqërisë dhe rregullat e bashkëjetesës demokratike.

Së katërti, megjithëse një platformë ndërqeveritare, Procesit të Berlinit i mungojnë institucionet dhe një buxhet i mirëpërcaktuar në funksion të përmbushjes së angazhimeve çka do të zvogëlonte varësinë e disa prej vendeve të rajonit ndaj aktorëve të tretë, të cilët synojnë status quo-n.

Së pesti, “mënuja” e procesit ka humbur disi fokusin fillestar të tij, duke mos arritur të adresojë tre sfida themelore më të cilat përballën vendet e rajonit: (i) demokracia; (ii) zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik; (iii) kërcënimi demografik.

Ky është paradoksi i “epokës Merkel” në rajon. Prezencë dhe kuptueshmëri të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër europian, por rezultate të pamjaftueshme, pasi integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të ishte një hap drejt arritjes së finalitetit të BE–së, duke nënkuptuar konsolidimin e projektit të integrimit europian, në një hapësirë konkrete politike me një kufi të përcaktuar në rang kontinental.

Sipas vrojtimit të fundit të Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), shumica e qytetarëve europian besojnë tek Gjermania dhe kërkojnë një rol më të madh të saj në BE. Vrojtimet e kryera në vendet e Ballkanit Perëndimor konfirmojnë gjithashtu besimin e qytetarëve tek Gjermania dhe pritshmëritë për një angazhim më të madh të saj.

Tema e angazhimit më të madh të Gjermanisë në arenën ndërkombëtare është një temë gjithnjë e pranishme në qendrat kërkimore dhe institucionet vendimmarrëse. Në vitet 2012-2013 në Gjermani u zbatua një projekt nga Instituti gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe Sigurinë, me pjesëmarrjen e një rrjeti të gjerë ekspertësh, në lidhje me elementët strategjik të politikës së jashtme gjermane. Analiza strategjike tregonte se “fuqia gjermane imponon një ripërcaktim të pozitës gjermane në marrëdhëniet ndërkombëtare” dhe se “Gjermania, fuqinë dhe begatinë që disponon ia detyron mbi të gjitha ekspansionit global ekonomik, ndaj duhet të veprojë në mënyrë aktive në nivel global”.

Kësaj teze i mëshon edhe një prej ministrave të jashtëm më energjik Joschka Fischer, i cili interesat politike dhe ekonomike të Gjermanisë i konsideron të ndërlidhura me një BE të fortë dhe të suksesshme. Sipas tij, Gjermania duhet t’i tejkalojë traumat e së kaluarës dhe fuqinë e saj ta vërë në funksion të krijimit të Europës së fuqishme nën udhëheqjen e saj.

Ndaj, dilema që kërkon përgjigje pas largimit të Angela Merkel-it nga skena politike është nësë për të përmbushur plotësisht rolin e udhëheqësit të Europës, konsolidimin e projektit të integrimit europian dhe fuqizimin e lidhjes transatlantike, Berlinit do t’i duhet të rishikojë ato parime të Merkelizmit që i bënë europianët dhe popujt e rajonit tonë të vendosin me të drejtë shpresat e tyre tek Gjermania.

blank

Prokurori: Viktimat e Salih Mustafës ishin pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës

Prokurori Cezary Michalczuk nga ZPS në seancën e parë gjyqësore ndaj Salih Mustafës pretendon se viktimat e Komandant Calit ishin pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Prokurori në seancë ka thënë se viktimat ishin shqiptarë të Kosovës të cilët janë akuzuar si kolaboracionistë me serbët, raporton Gazeta Express.

“Viktimat ishin shqiptarë të Kosovës, të ndaluarit janë akuzuar se ishin kolaboracionistë me serbët, realiteti është se viktimat i përkisnin një partie tjetër politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK).  Atyre nuk u është thënë asnjëherë se pse ishin ndaluar apo arrestuar. Viktimat janë detyruar të flenë në dysheme në një ahur kafshësh. Asnjë kujdes mjekësor nuk u është ofruar atyre gjatë rrahjes nga i akuzuari dhe vartësit e tij”, ka thënë Prokurori Michalczuk.

Ai poashtu ka prezantuar edhe disa të dhëna tjera për kompleksin që është përdorur nga Salih Mustafa dhe sipas tij provat e Prokurorisë do të tregojnë se krimet e pretenduara janë kryer nga i akuzuari.

“Ish-pjesëtarë të Brigadës 153 të UÇK-së do të dëshmojnë se ky kompleks ishte përdorur nga njësiti BIA i cili komandohej nga i akuzuari. Provat e ZPS-së do të tregojnë se krimet e pretenduara nga ne janë kryer nga i akuzuari. Provat e Prokurorisë nuk do të lënë asnjë pikë dyshimi se këto krime kanë ndodhur dhe i akuzuari ka qenë përgjegjës për to. Ndërtesa e rrethuar është ndërtesa ku kanë ndodhur krimet të cilat ngrihen si pjesë e aktakuzës. Këtu përshkruhen tri ndërtesa në Zllash, ku në prill 1999 janë mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe janë keqtrajtuar disa të burgosur shqiptarë të Kosovës”, ka thënë Prokurori i ZPS-së.

blank

Prokuroria: Viktimat e Salih Mustafës ishin shqiptarë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë nis gjykimi ndaj Salih Mustafës.

Doruntina Baliu

Prokuroria e Specializuar në Hagë ka hapur sot gjykimin ndaj Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i akuzuar për krime lufte.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith, gjatë fjalës hyrëse tha se përderisa rastet e tjera që do të dalin para kësaj gjykate, do të flitet për viktima të etnive të ndryshme, si shqiptarë kosovarë, serbë, romë, në rastin e Mustafës, sipas tij, të gjitha viktimat ishin bashkatdhetarët e tij, shqiptarë të Kosovës.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith gjatë fjalës hyrëse në gjykimin ndaj Salih Mustafës.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith gjatë fjalës hyrëse në gjykimin ndaj Salih Mustafës.

“Këta njerëz nuk ishin armiq të shtetit të Kosovës, ata nuk ishin spiunë. Ata ishin pjesëtarë të komunitetit, shqiptarë të pafajshëm të Kosovës, krimi i vetëm i të cilëve ishte se ishin parë nga të tjerët, për një arsye apo tjetër, ishin parë si pengesë e UÇK-së dhe udhëheqësve të saj dhe prandaj ishin etiketuar si kolaboracionistë”, tha Smith.

Sipas Prokurorisë së Specializuar “faji i vetëm” i disa viktimave ishte se ishin pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Smith gjithashtu ka lavdëruar Kosovën dhe popullin e saj për krijimin e Gjykatës Speciale dhe mbështetjen e këtij institucioni.

“Kjo gjykatë flet me krenari për përkushtimin e njerëzve në Kosovë për sundimin e ligjit. Njerëzit e Kosovës kanë qenë forca lëvizëse e zyrës tonë dhe këtij institucioni”, tha ai.

Prokurori i Specializuar, Smith tha se krimet e luftës nuk justifikohen.

“Kundërshtarët e kësaj gjykate përdorin shprehje si ‘lufta e pastër’. Si prokuror është përtej detyrës time të ju tregoj cila është luftë e pastër, por mund të them që krimet e luftës në një anë nuk i justifikon krimet në anën tjetër”, tha Smith.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) argumentoi se viktimat që ishin mbajtur në një qendër ndalimi në Zllash, ishin cilësuar si kolaboracionistë në luftë.

ZPS-ja ka dhënë detaje mbi vendin ku supozohet të kenë ndodhur krimet e kryera nga Salih Mustafa.

Sipas këtij përshkrimi, ndërtesa në Zllash ishte dykatëshe dhe e izoluar nga strukturat e tjera.

Kjo ndërtesë nuk qëndron sot, mirëpo sipas ZPS-së provat e shfaqura gjatë gjykimit do të dëshmojnë prezencën e të akuzuarit në këtë vend në kohën kur krimet pretendohet se u kryen.

Sipas Prokurorisë, dy nga viktimat e mbajtur në Zllash ishin trajtuar veçanërisht keq. Njëri nga ta nuk është gjetur asnjëherë, ndërsa trupi i njërit nga viktimave u gjet në një varr të cekët në distancë të shkurtë nga qendra në Zllash.

Mustafa e krahason Specialen me zyrën e Gestapos

Ndërkaq, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa u deklarua i pafajshëm për akuzat për krime lufte.

Për akuzat ndaj tij, Mustafa edhe më herët është deklaruar i pafajshëm. Por, edhe gjatë fillimit të seancën, gjykatësja e pyeti nëse ende qëndron ky deklarim i tij dhe Mustafa tha:

“Po, për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Salih Mustafa paraqitet pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, ku ka nisur gjykimi ndaj tij. Hagë, 15 shtator 2021.

Salih Mustafa paraqitet pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, ku ka nisur gjykimi ndaj tij. Hagë, 15 shtator 2021.

Ky është gjykimi i parë që nis në Dhomat e Specializuara në Hagë, që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale.

Për çka akuzohet Salih Mustafa?

Aktakuza kundër Mustafës për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar. Ai ishte arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë gjendet në paraburgim në Hagë të Holandës.

Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, në ditën e parë të gjykimit kryegjykatësja e Trupit Gjykues do të hapë gjykimin dhe do ta informojë të akuzuarin për të drejtat dhe obligimet e tij.

Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ketë tri orë për deklaratën e vetë hapëse.

Më pas, mbrojtësja që përfaqëson viktimat pjesëmarrëse do të ketë një orë e gjysmë për deklaratën e saj hapëse.

“Deri më tani si viktima pjesëmarrëse në proces janë pranuar nëntë persona dhe procesi i paraqitjes së kërkesave është i hapur”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Seanca për këtë gjykim janë planifikuar për muajt shtator dhe tetor.

Gjykatësit kanë bërë të ditur se prokuroria do të ketë 87 orë për paraqitjen e provave të veta. Prokuroria ka plan të thërrasë 16 dëshmitarë, 15 prej të cilëve do të dëshmojnë në sallën e gjyqit.

Përveç Mustafës, procese gjyqësore pritet të nisin edhe ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.

blank

Zëri i Amerikës: Hapet procesi i parë gjyqësor në Gjykatën e Posaçme të Kosovës

VOA

Të mërkurën në Gjykatën e Posaçme të Kosovës u hap procesi i parë gjyqësor për krime lufte, ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Ai akuzohet për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Sipas akuzës që është ngritur në qershor të vitit 2020 dhe konfirmuar në shtator të vitit të kaluar, krimet dyshohet të jenë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash të komunës së Prishtinës.

Zoti Mustafa ritheksoi sot se ndjehet i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave të ngritura kundër tij.

Zoti Mustafa u arrestua në shtator të vitit 2020 dhe ishte personi i parë i arrestuar në bazë të akuzave të Prokurorisë së Posaçme për krime lufte në Kosovë.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar u arrestuan edhe ish-zyrtarët e lartë të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Që të katër akuzohen për veprat; ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas akuzës dyshohet të jenë kryer në periudhën ndërmjet muajit mars të vitit 1998 dhe muajit shtator të vitit 1999.

Sipas akuzës krimet dyshohet se janë kryer në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Kritikët thonë se gjykata kërcënon të kriminalizojë luftën çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës. Prokuroria tha të mërkurën se proceset nuk janë të drejtuara kundër Kosovës, por individët.

blank

Anketë, qytetarët e BE-së favorizojnë kancelaren gjermane para presidentit francez

Shumica e qytetarëve të BE-së favorizuan kancelaren gjermane para presidentit francez, zbuloi një sondazh i kryer nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), transmeton Anadolu Agency (AA).

Hulumtimi i ECFR-së, i titulluar “Pas Merkelizmit: Çfarë presin evropianët nga Gjermania paszgjedhore”, u bazua në një sondazh të kryer në 12 vende të BE-së, përfshirë Austrinë, Danimarkën, Francën, Gjermaninë, Italinë, Poloninë, Portugalinë, Spanjën, Suedinë, Holandën, Bullgarinë dhe Hungarinë.

Anketa e kryer midis fundit të majit dhe fillimit të qershorit 2021, përfshiu mbi 16.000 të anketuar.

Në përgjigje të pyetjes “nëse do të kishte zgjedhje për presidentin e Evropës dhe dy kandidatët e vetëm do të ishin Emmanuel Macron ose Angela Merkel, për kë do të votonit?”, mbi 40 për qind e të anketuarve favorizuan Merkelin para Macron-it.

“Fakti që Merkel është shumë më e popullarizuar se Macron jo vetëm në Holandë dhe Spanjë, por edhe në Portugali dhe Danimarkë, tregon se sa ajo mund të jetë një forcë integruese në skaje të ndryshme të BE-së”, tha gazeta.

Hulumtimi sugjeroi gjithashtu se një numër i konsiderueshëm i të anketuarve “i besojnë Berlinit që të udhëheqë BE-në, veçanërisht në çështjet financiare dhe ekonomike, si dhe demokraci dhe sundim të ligjit”.

blank

Beograd: ‘Ikni zonja Merkel, për 9 vite keni mbështetur diktaturën’

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka nisur një tur në Ballkan në prag të largimit nga politika. Ajo ishte fillimisht në Serbi, ndërsa sot ka mbërritur në Shqipëri.

Sipas gazetës gjermane, Frankfurter Rundschau, vizita e saj në Ballkan ka dritë-hijet e saj.

“Europa ka interes gjeostrategjik që të pranojë këto vende në BE,” tha Merkel. Por gazeta shkruan se rruga e integrimit për këto vende është shumë e gjatë.

“Praktikisht kudo mungon sundimi i ligjit dhe aftësia teknike e administratave- në shkallë të ndryshme. Korrupsioni dhe nepotizmi janë të shfrenuara. Mediat e pavarura dhe shoqatat kritike civile janë nën presion në rritje. Tendencat autoritare mbizotërojnë aty-këtu,” shkruan gazeta.

Duke iu referuar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, gazeta shkruan se ai dominon prej 9 vitesh politikën me tendenca autoritariste. Që prej verës së shkuar, ai qeveris praktikisht edhe pa opozitë. Për këtë arsye, politikanët e opozitës në Serbi thonë se vizita e saj nuk sjell ndonjë gjë.

Kurse aktivistët e lëvizjes qytetare Preokret e pritën kancelaren me një parullë në gjermanisht, ku lexohej: “Ikni zonja Merkel. Ju keni mbështetur diktaturën për 9 vite”.

blank

Monitor: Shqipëria, me lidhjen më të dobët ekonomike me Gjermaninë në rajon

Ndonëse Gjermania është ekonomia më e madhe dhe më e fortë e Europës, Shqipëria ka më pak lidhje me të në raport me vendet e rajonit, sidomos për tregtinë, por edhe investimet gjermane përgjithësisht mungojnë.

Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se Gjermania është partneri i katërt i Shqipërisë për eksportet në vitin 2019, me 4.7% të totalit. Shqipëria ka një varësi të madhe nga Italia, me gati 48% të totalit, që i vuri në vështirësi eksportuesit vendas, sidomos ata të tekstileve e këpucëve, gjatë periudhës së pandemisë. E dyta është Kosova (10%) dhe e treta Spanja, me 8% e lidhur kryesisht me eksportet e naftës bruto.

Në këto nivele, Shqipëria ishte e parafundit në rajon, përveç Malit të Zi për peshën që zë Gjermania në eksportet e rajonit. E para është Maqedonia e Veriut me gati 49%, Bosnjë Hercegonina (15%), Serbia (13%), Kosova (8%) për vitin 2019. Është marrë për referencë 2019-a, për shkak se ishte një vit normal, pa përçarjen që shkaktoi pandemia në zinxhirin e eksporteve (shih grafikun: Pesha e eksporteve drejt Gjermanisë/totalit, 2019).

Produkti më i eksportuar nga Shqipëria drejt Gjermanisë janë tekstilet e këpucët (53%), ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ku mbizotërojnë produktet e makinerive e pajisjeve e materialet kimike.

Edhe për importet, Shqipëria është partnerja e fundit e Gjermanisë në rajon, me 7.2% të totalit (shih grafikun: Pesha e importeve nga Gjermania/totalit, 2019).

Tregtia rajonale

Sipas të dhënave nga WITS (sistemi i të dhënave për tregtinë i Bankës Botërore), Maqedonia e Veriut dërgon gati gjysmën e eksporteve drejt Gjermanisë. Materialet kimike dhe makineritë e pajisjet mbizotërojnë në produktet që shiten drejt Gjermanisë si rrjedhojë e zhvillimit të shpejtë të industrisë mbështetëse për automjetet. Partneri i dytë pas saj është Serbia me 8.5%. Për importet, Gjermania është partneri i dytë i Maqedonisë së Veriut, me 13.5% të totalit, pas Mbretërisë së Bashkuar (me 11.5%).

Edhe për Serbinë, Gjermania është partneri i parë tregtar për eksportet, me 13% të totalit, për vitin 2020, sipas të dhënave nga Trading Economics, ku produktet kryesore që shiten drejt ekonomisë më të madhe europiane janë pajisjet elektronike dhe elektrike.. Në vend të dytë është Italia, me 8.4%. Serbia ka një diversifikim më të mirë të eksporteve, duke mos qenë e varur nga një shtet i vetëm. Për importet, sërish mbizotëron Gjermania, me rreth 13% të totalit.

Gjermania është partneri kryesor i eksporteve edhe për Bosnjë- Hercegovinën, me gati 15% të totalit, me produktet kryesore që janë mallra bazë, makineri e pajisje. Pas Serbisë, Bosnja eksporton më shumë në Kroaci (12.2%).

Kosova ka partnerin kryesor tregtar për eksportet Shqipërinë, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, me 17.6% të totalit për vitin 2019. Ndërsa Gjermania renditet e katërta, pas Shqipërisë, Maqedonisë e Indisë, me 8% të totalit. Ndërkohë, Gjermania është e para për importet, me 12.8% të totalit.

Më pak i rëndësishëm është Gjermania për Malin e Zi, nga i cili importon 9.2% të totalit të mallrave ( e treta pas Serbisë dhe Kinës) dhe çon 3.3% të eksporteve. I pari për eksportet e Malit të Zi është Serbia, me rreth 24% të totalit.

Investime minimale nga Gjermania

Ndonëse Gjermania është donatori më i madh në vend, investimet e huaja direkte nga sipërmarrjet gjermane mungojnë. Sipas të dhënave nga banka e Shqipërisë, stoku i investimeve të huaja direkte nga Gjermania pas viteve ’90 është vetëm 183 milionë euro, ose 2% e totalit. (shih grafikun: Shqipëria, Stoku i Investimeve të huaja direkte deri në mars 2021). Sipërmarrjet gjermane janë ankuar shpesh në sondazhet e publikuar anga Dhoma Gjermane për nivelin e lartë të korrupsionin, mungesën e rregullave të lojës, tregtinë e pandershme etj, çka i ka mbajtur ata larg vendit tonë, ndryshe nga shtetet e tjera të rajonit, ku përqendrimi është më i lartë./MONITOR

blank

Europa Today: Mafia e Shqipërisë po e largon Ndranghetën nga Amerika e Jugut

Media italiane “Europa Today” ka bërë një shkrim të gjatë mbi mafien shqiptare në tregun e kokainës.

Në artikull shkruhet se Ndrangheta ka një konkurrent të ri në tregun e kokainës në Evropë: krimi i organizuar shqiptar po përpiqet të minojë dominimin e atij kalabrez, duke krijuar lidhje gjithnjë e më të forta me kartelet kolumbiane. Dhe tregu për të cilin ata konkurrojnë është mjaft fitimprurës kur merrni parasysh se konsumi i pluhurit të bardhë është rritur për më shumë se një dekadë në Evropën Perëndimore Qendrore.

Sipas vlerësimeve të fundit, përdoruesit e tij të rregullt janë afërsisht 4.4 milionë: kjo e bën substancën, drogën e dytë më të përdorur në kontinent. Sipas Qendrës Evropiane të Monitorimit 18 milionë evropianë midis moshës 18 dhe 64 vjeç e kanë përdorur atë të paktën një herë në jetën e tyre, në mesin e konsumatorëve 2.2 milionë janë midis 15 dhe 34 vjeç. Mosha mesatare e konsumit të parë është rreth 23 vjeç.

Trafiku i kokainës

Në raportin e tij të fundit “Kokaina Insights”, Europol, agjencia evropiane për luftën kundër krimit, shpjegon se shumica e kokainës së pranishme në Evropë është e importuar dhe se prodhimi vendor është pothuajse inekzistent. Kolumbia vazhdon të jetë furnizuesi kryesor evropian, me rolin e Brazilit që është duke u rritur gjithnjë e më shumë. Ky i fundit është bërë vendi me numrin më të madh të dërgesave në Belgjikë, qendra e re evropiane së bashku me Holandën.

Ardhja e kokainës në kontinent është e mundur falë koordinimit midis karteleve të Amerikës së Jugut dhe atyre me bazë në Evropë organizatat kriminale. Raporti i Europol thekson se detyra e karteleve është padyshim e lidhur me prodhimin, ndërsa ajo e rrjeteve kriminale evropiane kryesisht me furnizimin me shumicë, por që ato nuk përfshihen gjithmonë në shpërndarjen me pakicë. Këto organizata gjithashtu merren me korrupsionin e personelit që punon në porte.

Roli i Ndranghetas në Amerikën Latine

Që nga fillimi i viteve 1990, Ndrangheta ka luajtur një rol vendimtar në menaxhimin e trafikimit të kokainës midis Amerikës së Jugut dhe Evropës. Ata ishin kontaktet më të ngushta me Kartelin Cali, të cilët menaxhuan importet dhe mbajtën rolin e furnizuesve me shumicë, duke furnizuar gjithashtu drogën për organizatat e tjera kriminale që më pas morën përgjegjësinë për shitjen.

Sipas raportit, Ndrangheta është ndër rrjetet më të organizuara që “punon” në fushën e trafikimit të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë dhe Amerikën e Veriut dhe këtë rezultat e ka arritur falë një rrjeti që përfshinë “negocimin e blerjeve, organizimin dhe mbikëqyrjen e dërgesave dhe mbikëqyrjen e pagesave”.

Humbja e monopolit

Por me kalimin e viteve Ndrangheta ka humbur pozicionin e saj gati monopol në Amerikën Latine, gjithashtu për shkak të copëzimit të peizazhit kriminal kolumbian. Në fakt, ka dy momente kryesore në të cilat Ndrangheta ka humbur më shumë fuqi. E para daton në 2006 dhe u shkaktua nga shpërbërja e grupit paramilitar të ekstremit të djathtë AUC (Autodefensas Unidas de Colombia), një grup me të cilin organizata mafioze kishte krijuar një lidhje shumë të fortë.

“Shpërbërja e AUC është vlerësuar si shkaktari që çoi Ndrangheta të humbasë monopolin e saj në tregtinë transatlantike të kokainës. Rreth të njëjtës kohë, janë shfaqur indikacione se Ndrangheta po krijonte lidhje me grupet e krimit të organizuar meksikan” thekson raporti.

Ndërsa Brazili u shfaq më pas si një pikënisje kryesore për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në Evropë, Ndrangheta krijoi një prani atje gjithashtu për të siguruar rrjedhjen e kokainës në tregjet e destinacionit. Momenti i dytë në të cilin pati një humbje tregtare në organizatë është viti 2016, viti në të cilin u nënshkrua marrëveshja e paqes midis qeverisë kolumbiane dhe guerilëve komunistë të Farc -Ep (Fuerzas Armadas Revolucionarias de Colombia – Ejército del Pueblo).

“Marrëveshja e paqes çoi në përfundimin e strukturës komanduese të integruar të FARC dhe shfaqjen e grupeve të ndryshme të copëtuara që ushtronin kontroll mbi rajone të ndryshme dhe prodhimin e kokainës në to, dhe kjo i dha mundësinë organizatave të tjera kriminale ndërkombëtare të hyjnë në lojë. Ky është rasti i atyre që vijnë nga Shqipëria, Belgjika, Franca dhe Turqia” thuhet më tej.

Grupet shqiptare

Sipas raportit, roli që u luajt historikisht nga Ndrangheta tani po kalon në duart e organizatave të tjera dhe, në dhjetë vitet e fundit, grupet shqiptare janë rritur më së shumti se ndonjëherë. Sipas raportit të Europol, duket se këto grupe tani janë në gjendje të menaxhojnë rrjete të mëdha shpërndarëse në Evropë me një shkallë të caktuar koordinimi transnacional dhe të krijojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën Latine.

Që nga viti 2012, grupet shqipfolëse janë bërë jashtëzakonisht me ndikim në portet kryesore në Amerikën Latine (Venezuela, Brazil, Kolumbi dhe Ekuador) dhe në Evropë (Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe Spanjë).

Në vitin 2020, Europol së bashku me policinë nga vende të ndryshme përfunduan një operacion që synonte çmontimin e organizatës shqiptare ‘Kompania Bello’, një nga më aktivët në Evropë. Ajo që doli nga hetimi, i cili çoi në arrestimin e 104 individëve, është fakti se modeli i tyre i biznesit është jashtëzakonisht i sofistikuar.

Sipas raportit, rrjeti i krimit ishte në gjendje të kontrollonte të gjithë zinxhirin e furnizimit. Në fakt, duke përdorur mjete të sofistikuara të koduara të komunikimit, kreu i bandës së organizatës – një shqiptar dyzet vjeçar me qendër në Ekuador – negocioi drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, organizoi dërgesa të mëdha të kokainës në portet kryesore në Evropë me ndihmën e bashkëpunëtorëve me qendër në Itali, Holandë dhe Shqipëri.

“Degët” evropiane të karteleve

Prandaj trafiku evropian menaxhohet kryesisht nga organizata të bazuara në kontinent që bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës së Jugut. Sidoqoftë, kartelet gjithashtu kanë krijuar “degë” evropiane, për të thënë kështu, për të menaxhuar më mirë dhe drejtpërdrejt biznesin e tyre në Kontinentin e Vjetër.

Ky është rasti i të ashtuquajturve Oficinas de Cobro kolumbiane, rrjete kriminale “të cilat janë vendosur në vendet kryesore për tregtinë e kokainës në BE, si Spanja ose Holanda. Këta përfaqësues të vegjël mbikëqyrin ardhjen e dërgesave, shpërndarjen tek klientët, mbledhjen e pagesave dhe lidhjen me ofruesit e shërbimeve të pastrimit të parave” thuhet në raport.

Belgjika dhe Holanda qendrat e reja të kokainës

Sa i përket hyrjes së kokainës në BE, qendrat kryesore të mbërritjes së substancës kanë ndryshuar. Deri në vitin 2016 ishte Spanja që mbante rekordin, por duke filluar nga viti 2017 Belgjika dhe Holanda u bënë qendrat e reja, duke zëvendësuar vendin Iberik. Ka shumë ndryshime në botën e kokainës që kanë ndodhur vitet e fundit.

Në vitin 2017, Stefan Kirsch, zëdhënës i drejtorit të përgjithshëm të shërbimit doganor gjerman, i tha redaksisë së Insight Crime se “ka një zhvendosje të qartë nga ngarkesat e vogla në të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë“, duke deklaruar gjithashtu se ky ndryshim ka filluar në mesin e vitit 2016. Vitin e kaluar, 66 ton kokainë u kapën vetëm në portin e Antwerp, në 2013 ishin vetëm pesë.

Në Roterdam, megjithatë, 33 tonë u kapën përsëri vitin e kaluar. Antwerp ka fituar rekordin për portin me trafikun më të madh të drogës në Evropë. Ai në Barcelonë, nga ana tjetër, tani ka një rëndësi gjithnjë e më margjinale, me vetëm katër tonë të sekuestruar në vitin 2020.

Sipas raportit “shumica e kokainës që mbërrin në Antwerp ndoshta është e destinuar për organizatat që veprojnë në Holandë, nga ku kokaina shpërndahet më tej në destinacionet e tjera evropiane. Belgjika raportoi se grupet etnike marokene dhe shqiptare, të cilat janë përfshirë në nxjerrjen e kokainës nga porti, kanë zgjeruar rolin e tyre në prokurimin e kokainës dhe në zhvillimin e kontakteve në kontaktet në jug Amerikë ” mbyllet raporti. syri.net

blank

Escobar: Qëllimi nuk është vetëm njohja e ndërsjellë Kosovë – Serbi, por edhe anëtarësimi në BE

Besim Abazi

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi të ndërmjetësuara nga Brukseli, por u shpreh i shqetësuar me zvarritjen e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati të organizuar nga Qendra për Politika Evropiane, me temën “Bisedimet Beograd-Prishtinë: A po kthehemi në rrugën e duhur?”

Zoti Escobar tha se Shtetet e Bashkuara duan të shohin Ballkanin Perëndimor pjesë të Bashkimit Evropian.

“Ne do të mbështesim përpjekjet e Bashkimit Evropian për të sjellë Serbinë dhe Kosovën më afër bllokut dhe të punojmë me BE-në për të integruar pjesën tjetër të rajonit”. Kjo, tha ai, përfshin edhe sinjale të fuqishme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përfshirë zgjidhjen e mospajtimeve të Shkupit me Bullgarinë. Ai tha se kjo çështje duhet të zgjidhet menjëherë.

Zoti Escobar u shpreh i shqetësuar me ngecjet në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Jam i shqetësuar më mungesën e besimit të publikut ndaj mesazhit se zgjerimi është i mundur. Jam i shqetësuar me mungesën e mesazhit të fortë nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Zoti Escobar tha se rajoni nuk duhet të jetë i përcaktuar vetëm nga çështjet politike.

“Qëllimi nuk është vetëm njohja e ndërsjellë, por edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Pikë”, tha zoti Escobar i cili vuri theksin tek marrëveshja e Washingotnit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila është nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha se nuk ka alternativë më të mirë për të dyja palët sesa normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre…

“Ju siguroj se Bashkimi Evropian do të bëjë pjesën e tij. Do të mbajë fjalën e tij për liberalizimin e vizave për Kosovën, për zgjerimin, por nuk do të na ndihmojë nëse të ulemi, presim dhe ankohemi”, tha ai, duke nënvizuar se nuk ka asgjë teknike në këto bisedimet, gjithçka është politike.

Marrëveshja tha zoti Lajcak duhet të sigurojë “pranim të plotë të Kosovës nëpërmjet konsolidimit dhe kontrollit të territorit të saj, përparimit në rrugën evropiane, zhvillimit ekonomik dhe trajtimit të çështjeve të sundimit të ligjit”.

Gjatë javës zoti Lajcak pritet të qëndrojë në Kosovë dhe më pas edhe në Serbi në përpjekje për të siguruar takime të nivelit të lartë politik në kuadër të bisedimeve.

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është mbajtur më 19 korrik, por pa ndonjë përparim.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, ngriti gjatë debatit shqetësimin për shlyerjen e adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga autoritetet serbe, ndërsa tërhoqi vëmendjen se procesi i bisedimeve mund të zvarritet për shkak të zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë dhe atyre parlamentare e presidenciale në Serbi në prill të vitit të ardhshëm.

Në këtë kuadër Donika Emini nga organizata CiviKos tha se “kanë kaluar disa vjet dhe çdo lloj zgjedhjesh kanë ndikuar shumë në proces. Zgjedhjet kanë pasur ndikim negativ në ritmin e dialogut”.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.

blank

Ia vranë në luftë 4 djem dhe 2 nipa, rrëfen 87-vjeçari nga Peja: Prej 22 vitesh askush nuk ma hapi derën

Hajrulla Hysenit nga Zahaqi i Pejës, serbët i vranë katër djemtë e tij dhe dy të vëllait në luftën e vitit 1999.

87-vjeçari që asnjëherë më parë nuk është shprehur para mediave thotë se nuk ka marrë asnjë mbështetje shteti për të rritur 15 nipërit e mbesat e tij.

Hyseni i cili para disa viteve ka humbur edhe bashkëshorten, në një rrëfim për RTV Dukagjinin thotë se askush nuk po i hap derën.

“Prej 22 vitesh askush nuk ma ka hapur këtë derë për të më pyetur se çfarë halli ke. Kam mbetur me 15 fëmijë të vegjël e nuse të reja, e vet i plakur. Kemi jetuar si kemi mundur e askush nuk na ka ofruar ndonjë vend pune”.

Ai rrëfen historinë tragjike të familjes që i ndodhi me 15 maj të vitit 1999.
“Na kanë ndalur të fundit ndërsa po shkonim në Drenicë. Na zbritën djemtë nga kamioni dhe i mbështetën për muri. Erdhi dikush me maska dhe i mori djemtë”.

Hajrullahun nuk e lejuan të shkojë në Shqipëri dhe bashkë me gruan për shtatë javë ishte fshehur nga ushtria serbe maleve e fushave.

Ai nuk gjente qetësi derisa të mësonte për fatin e djemve të tij. Por në fund e kuptoi se ata kishin përfunduar në një kanal.

Prej gjashtëmbëdhjetë meshkujve që i kishin marrë serbët vetëm njëri kishte arritur të mbijetojë.
Por i moshuari thotë se as nga ai nuk e kuptoi kurrë të vërtetën e asaj ngjarje makabre.

“Djemtë i kishin futur në kanal të servisit të autobusëve. Kur ne jemi futur në atë servis, kemi dëgjuar të shtënat dhe jemi larguar fushave. Më pas atij servisi i është vënë zjarri dhe nuk dimë asgjë për djemtë se ku i kanë dërguar”.

“Nga 16 sa i kanë marrë serbët, njëri kishte shpëtuar pasi kishte ikur nga dritarja e banjës, por kurrë nuk ka treguar ku i kanë dërguar të tjerët. Sot ai më duket jeton në Suedi. Disa thonë që atij i ka rënë të fikët kur kanë filluar të shtënat dhe më pas të vdekurit e kanë zënë poshtë dhe ka shpëtuar”.

Përjetimet pas luftës ishin mjaft të mëdha, por ai si kryefamiljar ka përballuar jetën.

“Kam qenë i fortë si guri. Lot askush nuk më ka parë, por zemra ime e di sa kam vuajtur. Vetëm ai moment kur i kam parë të vrarë në kanal, vetëm shpirti im ma di. Çfarë djem i kam pasur. Të gjithë të punësuar”, tregon më tej historinë trishtuese të familjes 87-vjeçari nga Peja.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend