VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Intervista – Dr. Alpion mbi librin e ri, ‘Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj’ (video)

By | August 7, 2020

Komentet

Përurohet në Vushtrri shtatorja e heroit Ahmet Krasniqi dhe sheshi me emrin e tij

Në Vushtrri është bërë sot përurimi i shtatores së heroit Ahmet Krasniqi si dhe sheshi me emrin e tij, raporton Gazeta Express.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Kjo është hera e parë që Osmani është parë në një aktivitet me kryeministrin dhe anëtarë të LDK-së, qëkur në Lidhjen Demokratike është marrë vendim që ajo të largohet nga kryesia dhe pozita e nënkryetares.

Presidenti Donald Trump me ndërmjetësinë për njohjen e Kosovës nga Izraeli shkundi Perëndimin, shqiptarët dhe serbët! Nga Elida Buçpapaj

Më 3 shtator, një ditë përpara se Presidenti i SHBA Donald Trump të zhvillonte takimin mes dy delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, unë u përpoqa të imagjinoj me trurin e magjistarëve dhe iluzionistëve më të famshëm të njerëzimit me fuqi supernatyrale, spiritualistë, mistikë nga ata që bëjnë trike, fakeçudira tek ata që bëjnë mrekullira prej Ali Babës, personazhi i Një mijë e një netëve, Magjistari Oz tek David Copperfield se çfarë mund të ndodhte në Zyrën Ovale një ditë më pas.

Ishte një dyshim që lidhej me ata që do të priste Presidenti i SHBA, Donald Trump.

Nuk prisja që Presidenti serb Aleksandër Vuçiç të çlirohej nga klishetë dhe mitomania e kohës kur ishte ministër i propagandës për ta pranuar Kosovën e 4 shtatorit 2020 sipas tre datave  të sanksionuara:

Në 9 qershor 1999, data kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës që e detyronte Milosheviçin si humbës të largonte nga Kosova ushtrinë pushtuese dhe makinerinë e luftës që kishte shkaktuar mijra viktima të civilëve të pafajshëm dhe kishte spastruar etnikisht rreth 1 milionë shqiptarë;

Në 17 shkurt 2008, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur sot nga 116 shtete prej 192 sa janë anëtare të OKB;

Në 22 korrik 2010, dita e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e njohu si legjitim aktin e shpalljen së pavarësisë të shtetit të Kosovës.

Kanë kaluar mbi 21 vjet nga përfundimi i konfliktit të fundit në ish-Jugosllavi dhe paranoja mitomane ndaj Kosovës e mban gjithë rajonin peng të Serbisë, e cila ka angazhuar gjithë makinerinë shtetërore dhe diplomatike që shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën, ta çnjohin, dhe ato që nuk e kanë njohur të vazhdojnë të mos e njohin. Serbia synon kështu që ta kthejë Kosovën mbrapsht nga shekulli XXI në shekullin XX, më të ziun për kujtesën e njerëzimit, që dallohet nga dy Luftra Botërore, nga Holokausti, nga Srebrenica, nga diktaturat totalitare gjakatare naziste dhe staliniste që kanë shkaktuar mbi 200 milionë viktima!

9 qershori 1999, 17 shkurti 2008 dhe 22 qershori 2010 janë vija demarkacioni që ndajnë të shkuarën e përgjakur nga çmenduritë e Milosheviçit me të ardhmen e përbashkët demokratike të gjithë rajonit, të cilën e mban peng Serbia e Vuçiçit dhe kasta e politikanëve shqiptarë të skaduar, që kishin sjellë në Washington DC në Shtëpinë e Bardhë tek Presidenti i SHBA përfaqësuesit e tyre, por jo përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës.

Natyrisht që shqiptarët i kanë ata që përfaqësojnë me dinjitet. Më i shquari është ish Kongresmeni arbëresho-amerikan Joe DioGuardi, me të njëjtën origjinë si Regis Philbi, miku i Presidentit Donald Trump. Joe DioGuardi është Skënderbeu i kohëve moderne. Prej mbi tre dekada ai ka bashkëpunuar ngushtë me figurat me të shkëlqyera të Senatit e Kongresit Amerikan po ashtu edhe me lobin hebre në SHBA! Joe DioGuardi meritonte i pari të ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe të jetë ndërmjetës midis shqiptarëve dhe Presidentit Donald Trump.

Por megjithë situatën e 4 shtatorit 2020 në dukje e pashpresë dhe mediokre, Presidenti Donald Trump i la me gojë hapur të madh e të vogël, shqiptarë e serbë, Prishtinën e Beogradin, Brukselin, Strasbourg-n, Berlinin, Parisin, thinktank-ët, diplomatët e politologët e të gjitha ngjyrave dhe niveleve. Këtë efekt pati njohja që kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu i bëri shtetit të Kosovës, që ishte e papritura madhështore e pritur prej 12 vitesh të bëhej realitet, e lobuar nga të gjitha administratat pararendëse të SHBA por e arritur direkt prej Presidentit të 45-të të SHBA.

Njohja që Izraeli i bëri shtetit të Kosovës i shkon për shtat sloganit MAGA – Make America Great Again.

SHBA fituan menjëherë vemendje pozitive nga bota që me Marrëveshjen në shërbim të paqes në Lindjen e Mesme, e nënshkruar midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e arritur po përmes rolit të Trump. Po ashtu edhe njohja e Kosovës nga Izraeli ka një ndikim shumë të fuqishëm për paqen në Ballkan. Si reagim ndaj arrogancës serbe, sepse presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e shkeli pikēn e 15 të Marrëveshjes nënshkruar në Zyrën Ovale, sapo u kthye në Beograd, duke iu shprehur palestinezëve, në takimin me ambasadorin e tyre, mirënjohjen që nuk e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës.

Tash shqiptarët ëndërrojnë që Presidenti Trump t’ia mbushi mendjen Papa Françeskut që edhe Vatikani ta njohë pavarësinë e Kosovës! Përse të mos e njohë Vatikani shtetin e pavarur të Kosovës?! Paqja nuk vjen vetëm me lutje por edhe me veprime!

SHBA janë si një Melting Pot gjigand. Shtetasit amerikanë me origjinë migratore janë nga të gjitha shtetet e globit. Kjo e mban të lidhur pazgjidhshmërisht Amerikën me fatet e njerëzimit. Mua më mahnit Ura e Bruklinit e dizajnuar nga një amerikano-gjerman me mendje të ndritur si John Augustus Roebling, por më ka mahnitur edhe më tepër ura e Korridorit Ajror të Berlinit Airlift ( 26 qershor 1948 – 30 shtator 1949), kur Amerikanët hanin nga një racion mish më pak për t’iu dërguar ushqime dhe qymyr për ngrohje e çka u nevojitej qytetareve gjermanë në Berlinin Perëndimor, ku forcat aleate me në krye SHBA përballuan një nga krizat më kritike të Luftës së Ftohtë duke e mbuluar këtë urë korridor me rreth 280 mijē fluturime që mposhti më në fund bllokadën dhe rrethimin e Berlinit Perëndimor nga BRSS.

Në fund të shekullit XX SHBA me aleatët e NATO-n ndalën një Holokaust të ri ndaj shqiptarëve të Kosovës që janë trashëgimtarët e Skënderbeut, Nënë Terezës dhe i vetmi vend që u kanë dhënë hebrejve strehë e mbrojtje, kur Europa i dorëzonte në Kampet e Përqendrimit në Auschwitz, Mauthausen e Treblinka.

Johanna Neumann, një zonjë hebreje që e kishte provuar mikpritjen e thjeshtë shqiptare me “bukë e kripë e zemër” përsëriste se “Moralin e Europës e shpëtuan shqiptarët”. Nuk ndodhi kurrë dhe nuk ka asnjë hebre të dorëzuar tek gjermanët nga shqiptarët, duke pasur parasysh se Shqipëria ishte nën pushtimin nazist. Johanna Neumann, për t’i shpëtuar Shoah, u largua nga Hamburgu kur ishte 10 vjeçe bashkë me nënën dhe babain e saj. Familja me tre anëtarë, sikur shumë hebrej që u vendosēn aty, jetuan në Shqipëri 5 vjet dhe me mbarimin e luftës gjetën strehë në SHBA. Zonja Johanna ka tre vjet që është larguar nga kjo botë, por nuk ka asnjë dyshim se prej Parajse ajo, një nga Ëngjëjt Mbrojtës të Shqiptarëve, e ka përshëndetur njohjen e Kosovës nga Izraeli me ndërmjetësinë e Presidentit të SHBA.

Të mos diskutohet pastaj mirënjohja e shqiptarëve ndaj Presidentit Trump për këtë njohje kaq të rëndësishme.

Por ndërkohë shqiptarët e Kosovës janë duke përjetuar hutimin dhe ngërçin më të madh që nga vdekja e Ibrahim Rugovës. Në vend të faktorizimit dhe integrimit, janë të defaktorizuar dhe të dezintegruar. Nga lufta në Kosovë dolën të plagosur, por u kthyen në shtëpitë e tyre, ndërsa ranë në fatkeqësinë e sundimit nga kasta politike e korruptuar dhe inkriminuar. E njëjta kastë si në Kosovë, është edhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, që ka uzurpuar pushtetin përt të qenë e përjetëshme si Llukashenko dhe miliardere si Silvio Berlusconi apo Donald Trump, pa trashëguar asgjë e pa derdhur asnjë pikë djerse, vetëm duke vjedhur pasuritë e vendit në stanjacion të plotë ekonomik.

Kastat dhe regjimet e korruptuara politike përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit njëlloj si regjimet totalitariste.

Nuk ka stabilitet nën regjimet e kastave. Ka diktatura mafioze, regjime hibride, ndërsa stabiliteti është fake.

Po ashtu nuk ka as shpresë për zhvillim ekonomik në regjimin e kastave, sepse shpërdorin pushtetin dhe shkelin ligjin, i cili është far udhëheqës në ekonominë e tregut. Nuk mund të ketë ekonomi të lirë tregu në Kosovën ku shteti është i kapur nga politikanë të konsumuar shtershēm, të korruptuar dhe të komprometuar përfundimisht si përçudnues të demokracisë dhe votës së popullit.

Por shpresë për Kosovën ka. Populli i Kosovës është vetë shpresa që e ka nxjerrë jashtë loje këtë kastë politike.

Njohja e Kosovës nga Izraeli në Zyrën Ovale të Presidentit Trump ishte një shkundje për të gjithë Perëndimin, sepse vetizolimi nga Covid e ka futur të gjithin në një kafaz izolacionist, sipas sloganit seicili për vete e Zoti për të gjithë! Presidenti Donald Trump doli nga kafazi izolacionist!

A do ta njihte Izraeli shtetin e Kosovës?

Normalisht do të duhej të ishte nga shtetet e para, sikur e njohën SHBA dhe vendet kryesore të BE, por u deshën 12 vjet nga administratat e presidentëve George W.Bush, Barak Obama deri tek Presidenti Donald Trump.

Ndikimi direkt i Presidentit Trump për njohjen e shtetit të Kosovës nga Izraeli iu dha fund gjithashtu edhe teorive konspirative dhe i shkundi shqiptarët nga dyshimet dhe apatia.

Prandaj ishte historik takimi i 4 shtatorit 2020 në Zyrën Ovale!

Shqiptarët do të donin që me abrakadabra Presidenti Donald Trump, Kancelarja Merkel, Presidenti Macron me aleatë të bëhen bashkë e t’i shpëtojnë edhe prej kronizmit, favoritivizmit, nepotizmit, klientelizmit, të kastës së korruptuar e të inkriminuar që ka si aleate nëntokën e krimit dhe për pushtet e kall rishtas Ballkanin në flakë.

Natyrisht që SHBA me aleatë duhet të marrin në dorë fatin e demokracisë në Ballkan, të rrezikuar seriozisht nga kjo kastë e bashkërenduar me krimin e nëntokës që janë duke krijuar rendin e ri mafioz, e cila  harxhon para të majme për ta falimentuar sistemin demokratik duke korruptuar dhe komprometuar zyrtarë të lartë të institucioneve Perëndimore ! Fatin e tyre duhet ta marrin në dorë edhe vetë shqiptarët, duke mbledhur forcat për të krijuar një dialog të denjë me Perëndimin, me përfaqësuesit e duhur si dhe për të të mbrojtur vlerën e shenjtë që ka vota e popullit.

Shqipëria – arenë e vrasjeve mafioze dhe nga vrasës të paguar

Krimi në Shqipëri është sofistikuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ekspertët e kriminalistikës bëjnë të ditur se në 40 vrasjet e deritanishme të ndodhura përgjatë 9 muajve të vitit 2020, një pjesë e tyre janë me stil mafioz, ose nga vrasës të paguar.

Çka sipas tyre nënkupton një mënyrë të re të vrasësve, por edhe të metodave që përdorin.

Ngjarja më e fundit në Durrës shënoi vrasjen me numër 40 të vitit 2020, pa llogaritur këtu ato atentate që nuk kanë pasur fund tragjik, si rasti i Ardian Çapjas në Elbasan, atentat nga i cili mbeti i plagosur. Edhe pse për këtë ngjarje, Policia ende nuk ka asnjë të dhënë për autorët.

Prej javësh Elbasani është kthyer në kryefjalë e të gjitha lajmeve të ditës.

Krime të rënda që kanë lidhje mes tyre kanë rikthyer jo vetëm pasigurinë, por edhe një gjallërim të bandave, duke e kthyer këtë qytet të Shqipërisë së Mesme në kryeqendrën e krimit të organizuar. Në hartë pas Elbasanit janë Durrësi, Shkodra, Tirana e Vlora.

Një trend i rrezikshëm që po vërehet në këtë qytet është se format organizative të grupeve kriminale në qytet po imitohen nga grupe të rinjsh në zonat rurale përreth. Duke pasur parasysh situatën ekonomike dhe edukimin në rrethina, rrezikohet zhvendosje e organizatave kriminale me struktura hierarkike në zonat rurale.

Por, ndërsa në Shqipëri krimi ka lulëzuar ndjeshëm dhe shumë pak nga vrasjet mafioze janë zbardhur deri në fund, në arenën ndërkombëtare vendi ynë e ka shënuar emrin. Pjesëmarrje në operacione, si ai i fundit “Los Blancos” tregon se më shumë se për meritë të policisë shqiptare, lidhet me partneritetin me Eurojust, i krijuar me një vendim të Këshillit Europian në vitin 2002. Eurojust është institucioni të cilit i është besuar forcimi i luftës kundër krimeve të rënda përmes bashkëpunimit më të ngushtë brenda Bashkimit Europian në fushën e zbatimit të ligjit.

Eurojust është një institucion që bashkërendon aktivitetin e prokurorive kombëtare të shteteve anëtare dhe përbëhet nga 27 përfaqësues kombëtarë: gjyqtarë, prokurorë, dhe oficerë policie, të dërguar nga shtetet anëtare. Ky institucion i përmbush detyrat e tij me ndihmën e një ose disa prej anëtarëve kombëtarë, ose duke vepruar në mënyrë kolegjiale.

Për më tepër, çdo shtet anëtar mund të emërojë një ose më shumë korrespondentë kombëtarë, të cilët po ashtu, mund të shërbejnë si pika kontakti për Rrjetin Europian gjyqësor.

Eurojust ka kompetencë që të hetojë dhe të procedojë në krimet e rënda, veçanërisht krimin e organizuar ose krimin ndërkufitar, në hapësirën territoriale të të gjitha vendeve që janë anëtare të këtij institucioni, mes të cilave nga viti 2018 edhe Shqipëria.

Eurojust kontribuon po ashtu, në hetimin e veprave penale edhe nëpërmjet analizave të kryera nga Europoli. Ka njëfarë mbivendosjeje në kompetencat e këtyre dy institucioneve në lidhje me krimet nëpërmjet kompjuterëve, mashtrimin dhe korrupsionin, pastrimin e produkteve të krimit, krimin ndaj mjedisit, si dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale.

Misioni i Eurojust është që të mbështesë dhe të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin midis strukturave kombëtare, pjesë të hetimit dhe procedimit penal në lidhje me krimet e rënda që prekin dy ose më shumë shtete anëtare ose që kërkojnë procedimin e përbashkët në bazë të operacioneve të përbashkëta dhe informacioneve që japin strukturat e shteteve dhe Europolit./ ShQIP

EUROPOL-i njofton për shkatërrimin e “grupit më aktiv shqipfolës të trafikimit të kokainës në Evropë”

Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EUROPOL), ka njoftuar të enjten se një operacion i pashembullt ndërkombëtar, që ka përfshirë autoritetet për gjyqësor dhe ato për zbatim të ligjit në 10 shtete të ndryshme, ka rezultuar me shkatërrim të grupit kriminal shqipfolës “KOMPANIA BELLO”, i cili konsiderohet se ka qenë një prej rrjeteve më aktive të trafikimit të kokainës në Evropë.

“Në orët e para të 15 shtatorit, qindra zyrtarë policorë, duke përfshirë ekipet speciale të intervenimit, dhe në bashkëpunim të ngushtë me prokurorë dhe zyrtarë hetues, bashkë me mbështetjen e Europol-it dhe Eurojust-it (Agjencia e Bashkimit Evropian për bashkëpunim në gjyësor për çëshje kriminale), kanë kryer bastisje të organizuara kundër anëtarëve të kësaj sindikate kriminale tejet profesionale”, është thënë në një komunikatë të Europol-it.

Si rezultat i operacionit të përbashkët, 20 individë janë arrestuar në Itali, dy në Holandë, dy në Gjermani, dy në Greqi, një në Rumani, një në Hungari, një në Spanjë, pesë në Shqipëri dhe një një Dubai.

Të dyshuarit është thënë se janë vendosur në paraburgim për trafikim me substanca narkotike, posedim joligjor apo shpërndarje të drogës, dhe sulme brutale, përfshirë vrasje.

Europol-i ka thënë se ky operacion konsiderohet më i madhi ndonjëherë kundër ndonjë grupi shqipfolës, që ka kryer krim të organizuar.

Përgjatë hetimit është thënë se janë konfiskuar 4 tonë të kokainës dhe rreth 5.5 milionë euro para të gatshme.
Një model i sofistikuar biznesor

Me vite të tëra, importuesit ndërkombëtarë të kokainës kanë punuar ndaras nga shitësit me shumicë dhe bandat që kanë shpërndarë drogën nëpër rrugë.

Në këtë rast, rrjeti shqipfolës, që është nën hetim, ka hequr dorë nga ky model dhe ka kontrolluar tërë zinxhirin – duke nisur nga rregullimi i dërgesave direkt nga Amerika Jugore, deri te shpërndarja në gjithë Evropën.

Përmes metodave të sofistifikuara të komunikimit, duke përfshirë mesazhet e koduara, kryesuesi i organizatës – një 40-vjeçar shqiptar me bazë në Ekuador – ka negociuar drejtpërdrejt me kartelet e drogës të Amerikës Jugore, ka porositur sasi të madhe të kokainës drejt porteve të Evropës dhe me ndihmën e bashkëpuntorëve në Itali, Holandë dhe Shqipëri, ka organizuar shpërndarjen në Evropë.

Kokaina e kontrabanduar rreth kufijve evropianë është fshehur në makina të pajisura me zona të sofistikuara për fshehje. rel

Meliza Haradinaj: Vuçiç shkeli marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Presidenti Trump

Ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj ka lajmëruar me një tweet shqetësimin e qendrimit destruktiv të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Zonja Haradinaj shkruan në Tweet: “Kosova ndjek me shqetësime të mëdha veprime destruktive të presidentit serb Aleksandër Vuçiç për shkeljen e pikës të 15-të  të marrëveshjes të nënshkruar me ndërmjetësimin e Presidentit Donald Trump.

Vuçiç falenderoi falënderoi Ambasadorin e Palestinës Mohamed Nabhan  për qëndrimin “parimor për mosnjohjen e Kosovës.”

Fatkeqësisht, Serbia mbetet një partner jo i besueshëm!”

Pas takimit me Presidentin Serb Aleksandar Vuçiq me Ambasadorin e Palestinës në Beograd, Mohamed Nabhan më 15 shtator, presidenca serbe lëshoi një komunikatë ku midis të tjerave thuhet: “Presidenti Vuçiq e falënderoi udhëheqjen palestineze për mbështetjen e saj politike për sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë dhe për qëndrimin e saj parimor ndaj mosnjohjes së pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”.

Letra e plotë e Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu: Në këtë Vit të Ri (hebraik), unë i shtrij dorën time të miqësisë popullit të Kosovës

Me sponsor politik, kombin më të fuqishëm të botës, Shtetet e Bashkuaa të Amerikës, njohja reciproke tashmë e firmosur në Uashingon, është një fitore gjeopolitike e shumëfishtë për vendin e vogël të Ballkanit Perëndimor.

————————-

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të martën se zhvillimet e fundit në mes të Izraelit dhe Kosovës mund të çojnë drejt një epoke të re në të cilën mund të përfitojnë të dyja palët.

Ai i bëri këto komente nëpërmjet një letre që u lexua në një manifestim në Prishtinë me rastin e vitit të ri hebraik. Kremtimi u organizua pa ditë pasi që Kosova dhe Izraeli ranë dakord për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, që ishte pjesë e dakordimit për normalizim të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u arrit më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Në letrën e tij, kryeministri Netanyahu theksoi se “zhvillimet e fundit në mes të Izraelit dhe Kosovës mund të çojnë drejt një epoke të re në të cilën mund të përfitojnë të dyja palët. Jam i bindur se ne mund të arrijmë shumë duke punuar së bashku dhe shpresoj që do të shkojmë drejt përmbushjes”, thuhet në letër.

Kur Kryeministri Benjamin Netanyahu firmoste në emër të Izraelit në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjet e paqes me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, në Kosovë lexohej letra e tij dërguar populli kosovar dhe Kosovës, në aktivitetin e organizuar në Prishtinë me rastin e Vitit të Ri Hebraik, Rosh Ha’Shana 5781.

“Në këtë Vit të Ri, unë i shtrij dorën time të miqësisë popullit të Kosovës”, thuhej në mesazhin e tij të ngrohtë ndaj një miku të vjetër në marrëdhëniet historike dhe të ri në marrëdhëniet diplomatike. Kosova shpëtoi hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që vazhdimisht ky akt është përmendur me respekt në Izrael.

Edhe pse në Kosovë prisnin letrën e njohjes zyrtare të Kosovës, krerët më të lartë të politikës kosovare, Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Abdullah Hoti, kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe lideri i Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilët ishin të pranishëm në takimin e Prishtinë, ritheksuan me entuziazëm, vullnetin për marrëdhënie të plota me Jerusalemin, përfshirë lidhjet ekonomike dhe vendosje e selisë diplomatike në kryeqytetin e Izraelit.

Me sponsor politik, kombin më të fuqishëm të botës, Shtetet e Bashkuaa të Amerikës, njohja reciproke tashmë e firmosur në Uashingon, është një fitore gjeopolitike e shumëfishtë për vendin e vogël të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Izraelit, një njohës i mirë i gjeopolitikës botërore e tha shumë qartë në letrën e tij se, “zhvillimet e fundit midis Izraelit dhe Kosovës mund të ndihmojnë si një parathënie e një erë të re që do të sjellë përfitime për të dy popujt”, duke ritheksuar se rruga drejt njohjes tashmë është shtruar dhe pritet vetëm ceremonia.

“Unë jam i bindur që, ne mund të arrijmë shumë duke punuar së bashku dhe është shpresa ime e sinqertë se ne do ta shohim këtë realizim”, ishte mesazhi i njeriut më të fuqishëm në Izrael, duke theksuar dhe rolin e Komunitetit Hebre të Kosovë, për të sjellë dy vendet më afër.

Në Jerusalem dhe Prishtinë, dy ministritë e Jashtme po merren me modalitet burokratike të përpunimit shkresor, procedura normale që kërkojnë kohën e tyre, ndërkohë që vullneti politik midis dy vendeve është rikonfirmuar disa herë.

Pak ditë më parë, kryeministri Netanyahu shpërndahu në rrjetet sociale videomesazhin miqësor të kryeparlamentares së Kosovës, Vjosa Osmani, të realizuar pikërisht në vendin ku më parë ngrihej sinagoga e Prishtinës, e prishur në vitin 1963, kur Kosova ishte ende pjesë e Jugosllavisë.

Letra e Netanyahut përkoi edhe me falënderimin e Ministrisë së Jashtme të Izraelit ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për luftë kundër Antisemitizmit, një tjetër sinjal ky që tashmë marrëdhëniet midis dy vendeve kanë hyrë në rrugën zyrtare drejt finalizimit të njohjes reciproke./Izraeli Sot

Letra e plotë

Kryeministri
13 shtator 2020

Të dashur miq,

Ju dërgoj përshëndetje të ngrohta për Rosh Hashanh (Vitin e Ri Hebraik) të gjithëve ju në Prishtinë.

Në këtë Vit të Ri, unë i shtrij dorën time të miqësisë popullit të Kosovës. Zhvillimet e fundit midis Izraelit dhe Kosovës mund të ndihmojnë si një parathënie e një erë të re që do të sjellë përfitime për të dy popujt. Unë jam i bindur që, ne mund të arrijmë shumë duke punuar së bashku dhe është shpresa ime e sinqertë se ne do ta shohim këtë realizim.

Unë e vlerësoj thellësisht përpjekjen e Komunitetit Hebre të Kosovë, për të na sjellë neve më afër. Shanah tova, Gëzuar Vitin e Ri, dhe le të regjistroheni ju në Librin e Jetës.

Sinqerisht,
Benjamin Netanyahu

 

Netanyahu: Në këtë Vit të Ri (hebraik), unë i shtrij dorën time të miqësisë popullit të Kosovës

Leonat Shehu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të martën se zhvillimet e fundit në mes të Izraelit dhe Kosovës mund të çojnë drejt një epoke të re në të cilën mund të përfitojnë të dyja palët.

Ai i bëri këto komente nëpërmjet një letre që u lexua në një manifestim në Prishtinë me rastin e vitit të ri hebraik. Kremtimi u organizua pa ditë pasi që Kosova dhe Izraeli ranë dakord për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, që ishte pjesë e dakordimit për normalizim të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u arrit më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Në letrën e tij, kryeministri Netanyahu theksoi se “zhvillimet e fundit në mes të Izraelit dhe Kosovës mund të çojnë drejt një epoke të re në të cilën mund të përfitojnë të dyja palët. Jam i bindur se ne mund të arrijmë shumë duke punuar së bashku dhe shpresoj që do të shkojmë drejt përmbushjes”, thuhet në letër.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, përmes një videomesazhi i bëri jehonë marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

“Kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për të festuar së bashku me një marrëveshje historike për të shkëmbyer marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit dhe për të shkëmbyer ambasadat”, tha zoti Grenell.

Kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan, tha se populli i Izraelit dhe ai i Kosovës kanë ngjashmëri të shumta në mes veti për shkak të kaluarës së tyre.

“Kosova është e veçantë. Jo shumë njerëz në gjithë botën e dinë se sa e veçantë është Kosova. Çfarë ka të veçantë në Kosovë janë njerëzit dhe kjo i bën Izraelin dhe Kosovën më të afërt sepse populli në Izrael dhe në Kosovë janë të veçantë dhe shumë të ngjashëm”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se në këtë vit festa hebraike është edhe më e madhe pasi që pason lajmin për njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Izraelit.

E mirëpresim dhe do të punojmë fuqishëm për vënien e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona sa më shpejt që të jetë e mundur. Prandaj e shënojmë këtë ngjarje madhështore këtu në Prishtinë në një moment të veçantë dhe historik për të dy vendet edhe Kosovën edhe Izraelin në veçanti pasi që ky vit Hebraik po shënohet në një moment të rëndësishëm pas arritjes së marrëveshjes së Washingtonit, një marrëveshje kjo që ka karakter ekonomik, sigurisë por edhe të njohjes reciproke në mes shtetit të Kosovës dhe Izraelit”, tha presidenti Thaçi.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha se Kosova është demokraci parlamentare sekulare e cila do të mirëpret pjesëmarrjen e kulturës hebraike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet institucionale.

“Kësaj radhe viti i ri Hebraik është i posaçëm është festa e cila shënon njohjen reciproke Kosovë-Izrael. Komuniteti hebraik i Kosovës është hallk e rëndësishme në këto marrëdhënie tona. Ne do të vendosim së shpejti marrëdhënie tona diplomatike me shtetin mik të Izraelit dhe përtej kësaj do të thellojmë marrëdhëniet tona në çdo drejtim”, tha kryeministri Hoti.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, veçoi ngjashmëritë mes dy popujve.

“Nuk ka dy popuj që i kuptojnë vuajtjet e njëri tjetrit më mirë e më shumë se sa populli ynë këtu në Kosovë dhe populli izraeli, prandaj është lajm i mirë që më në fund edhe politika e arriti stadin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike për të kurorëzuar një miqësi të gjatë me dekada të tëra ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij të Izraelit”, tha zonja Osmani.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se njohja shtetërore ndërmjet Izraelit dhe Kosovës do të jetë vetëm hapi i parë i radhës në historinë e miqësisë dhe të respektit në mes të popullit shqiptar dhe atij izraelit.

E shkuara na mëson për bashkëpunim për paqe e ta ruajmë njerëzinë përballë çdo dhune që na kërcënon. Andaj le të lidhemi miqësisht me njëri tjetrin sigurisht Kosova duket e vogël dhe e varfër dhe nuk mund t’i ofroj shumë Izraelit dhe vendeve tjera mike por Kosova nuk ofron pak, ajo ofron zemrën e saj të hapur, angazhim dhe përkushtim për përparim të miqësisë në çdo sferë nga ekonomia deri te siguria, nga kultura deri te teknologjia”, tha zoti Kurti.

Yisroel Finman, rabin nga Tirana tha se shqiptarët veçohen për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore ndërsa bëri thirrje që Izraeli dhe Kosova të punojnë së bashku për të ardhmen e tyre.

(Video) Intervistë e Xhafer Shatrit: Fati i individit nuk është fati i Kosovës!

Xhafer Shatri tregon për telashet e Kosovës. Ndiqeni se ia vlen. Intervistoi Agron Bajrami

 

https://www.youtube.com/watch?v=Tk1KBYBIhzY

 

Deklarata publike e LQShA: i bën thirrje qeverisë së Kosovës që të ndreq historinë e rrejshme të paraqitur në pllakën për Senatorin Bob Dole

Deklarata publike e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane shoqërohet nga një mesazh i Këshilltarja e e Çështjeve Ballkanike e LQSHA Zonjës Shirley Cloyes DioGuardi, të cilën voal.ch po e jep të plotë:

I dashur mik dhe mbështetës,

Bordi i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane u trondit kur zbuloi se  në pllakën që e nderonte Senatorin Bob Dole për udhëtimin e tij në Kosovë në vitin 1990, në një ceremoni zyrtare në Prishtinë më 30 gusht, u paraqit si koha kur filloi mbështetja e qeverisë amerikane për shqiptarët në Ish Jugosllavi .

Fillimi i parë i mbështetjes së qeverisë amerikane për kosovarët, filloi shumë më herët – kur Kongresisti Shqiptar Arbëresh Joe DioGuardi u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së në nëntor të vitit 1984 dhe kur më 16 qershor 1986 ai e prezantoi rezolutën e parë në mbrojtje të drejtave të njeriut të të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi.

Departamenti i Shtetit i SHBA ishte aq pro Jugosllavisë saqë ata punuan për të rrëzuar rezolutën. Linjat e betejës për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shqiptarëve u hartuan për herë të parë në Uashington dhe Joe DioGuardi u përball me sfidën duke e prezantuar një rezolutë të re dhe të zgjeruar (këtë herë për Kosovën) në qershor të vitit 1987.

Shirley Cloyes DioGuardi
Këshilltare e Çështjeve Ballkanike”

 

Deklarata publike e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane: Lidhja Qytetare i bën thirrje qeverisë së Kosovës që të ndreq historinë e rrejshme të paraqitur në pllakën për Senatorin Bob Dole

Shtator 2020

 

Ne, anëtarët e Bordit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, u tronditëm kur zbuluam se një pllakë që nderonte Senatorin Bob Dole lidhur me udhëtimin e tij në Kosovë në vitin 1990 u paraqit si një fillim i mbështetjes së qeverisë amerikane për shqiptarët në Ish Jugosllavi.

E vërtetë është se udhëtimi i senatorit Dole u bë për shkak i një tubimi masiv në Uashington, DC, përpara Kapitolit të SHBA në korrik të vitit 1990, të organizuar nga Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe udhëhequr nga Presidenti i saj, ish-Kongresisti Joe DioGuardi. ( Folësit kryesorë përfshinin Senatorin Dole, Senatori Claiborne Pell dhe Kongresistët Tom Lantos dhe Ben Gilman.)

Bob Dole ishte aq i impresionuar me 10,000 shqiptarë amerikanë që bërtisnin “Dole, Dole, USA, USA”, sa që ai u zotua që të vizitonte Kosovën me senatorë të tjerë.

Por shumë më përpara vizitës së Dole në Prishtinë ka parapri zhvillimi i më hershëm, kur Kongresisti Arbëresh Amerikan Joe DioGuardi u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së në Nëntor të vitit 1984.

Dhe kështu, derisa vizita e senatorit Dole në Prishtinë në vitin 1990 ishte e rëndësishme, ajo nuk ishte “pika e kthesës për lirinë e Kosovës”, siç pretendojnë disa.

Përpos kësaj, merita për motivim të delegacionit të Senatit për të bërë një vizitë të shkurtër Kosovës i është dhënë gabimisht diasporës Shqiptaro Amerikane dhe një personi i cili ka shërbyer në Bordin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane. Në vijim janë faktet.

1986

Më 16 qershor 1986, Kongresisti Joe DioGuardi prezantoi në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA rezolutën e parë (H.Con.Res. 358) për të mbrojtur të drejtat e njeriut të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Të nesërmen, Bob Dole, tani shoku i DioGuardit, prezantoi të njëjtën rezolutë në Senatin Amerikan (S.Con.Res. 150).

Të zënë në befasi, zyrtarët serbë i regjistruan lobet ruse dhe greke në Uashington për të sulmuar DioGuardin si një provokator dhe për të inkurajuar miqtë në Departamentin e Shtetit të SHBA që të rrëzojnë rezolutën. Linjat e betejës për të drejtat e njeriut dhe lirinë shqiptare u hartuan për herë të parë në Uashington dhe DioGuardi u përball me një sfidë duke bërë lobim te më shumë se 100 Kongresistë për mbështetjen e tyre.

Në vjeshtën e vitit 1986, Senatori Dole morri vesh nga Kongresisti DioGuardi se ata do të duhen të bindnin më shumë anëtarë të Kongresit Amerikan për të sfiduar mosnjohjen nga ana e Departamentit të Shtetit shtypjen e tmerrshme të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Si rezultat, DioGuardi solli Dole në Manhattan për t’u takuar me shqiptarët amerikanë të cilët ishin të përgatitur që të kontribuojnë në një përpjekje të madhe për mbledhjen e fondeve për ata Anëtarë të Dhomës dhe Senatit që ishin të gatshëm të bashkëngjiten DioGuardit dhe Dole në prezantimin e një Rezolute të re të Kongresit.

1987

Një vit pasi DioGuardi rifilloi përpjekjet e tija të mëdha për lobim në Dhomën e Përfaqësuesve, në Qershor të vitit 1987, DioGuardi ri-paraqiti një version të zgjeruar të Rezolutës 1986 për Shqiptarët në Kosovë (H.Con.Res. 162), këtë herë me 57 Anëtarë. Me nxitjen e DioGuardit, Dole prezantoi të njëjtën rezolutë në Senat (S.Con.Res. 150).

Një muaj më vonë Sllobodan Millosheviqi u ngrit në pushtet në Serbi dhe denoncoi publikisht shqiptarët si “armiq të shtetit”. Nën presionin e lobit grek dhe aleatëve të tjerë të Millosheviqit që promovonin dominimin serb në Jugosllavi, Departamenti i Shtetit i dërgoi një letër Kongresistit Dante Fascell, atëherë Kryesues i Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Dhomës. Në letër denoncohej Rezoluta DioGuardi si një fyerje ndaj mikut dhe aleatit të SHBA Jugosllavisë dhe fajësoheshin kosovarët për krime kundër popullatës serbe.

Si rezultat i veprimeve para-Kongresit të DioGuardit me Kongresistin Fascell në botën Italiane-Amerikane, DioGuardi fitoi kundër Departamentit të Shtetit duke arritur që të merr një seancë dëgjimore në Kongres për H.Con.Res. 162, në të cilën për herë të parë u ekspozua hapur abuzimi i egër i të drejtave të njeriut nga serbët kundër shqiptarëve të Kosovës.

1988

Nga koha kur DioGuardi hyri në Kongres në vitin 1985, ai punoi ngushtë me Kongresistin Tom Lantos, Bashkëkryetar i Grupit të Kongresit për të Drejtat e Njeriut. Në Shtator të vitit 1988, Lantos organizoi një takim të nivelit të lartë me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe Budimir Lonçar, Sekretarin Federativ të Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, për t’u përballur me politikën tonë të dështuar të SHBA në Evropën Juglindore. Takimi ishte aq i suksesshëm sa që Sllobodan Millosheviqi më vonë tërhoqi ambasadorin e tij, Zhivorad Kovaçeviqin, nga Uashingtoni

1989

Pas largimit nga Kongresi i ShBA në janar të vitit1989, DioGuardi themeloi Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane për të vazhduar punën e tij në emër të popullit shqiptar. Në korrik të vitit 1989, Dhoma dhe Senati miratuan rezolutën duke e dënuar Serbinë për abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Në nëntor të vitit 1989, DioGuardi fluturoi për në Beograd me letra nga Anëtarët e Dhomës së SHBA dhe Senatit duke kërkuar lirinë e Kosovës. Duke e rrezikuar jetën e tij, DioGuardi i dorëzoi letrat në Qendrën Ndërkombëtare të Shtypit në Beograd dhe në zyrën e Sllobodan Millosheviqit. DioGuardi më pas bëri një vizitë të paparalajmëruar në Kosovë për të dëshmuar nga afër pushtimin brutal serb, ku ai zhvilloi një konferencë për shtyp në Grand Hotel në Prishtinë. Pasi që u dëbua nga hoteli nga policia serbe, DioGuardi vazhdoi konferencën për shtyp në rrugë. Ai më pas u takua fshehtas me intelektualë, gazetarë dhe aktivistë kryesorë, përfshirë Dr. Zekeria Cana, Zenun Çelaj dhe Bajram Kelmendin. DioGuardi i mori fotografitë e të rinjve kosovarë që u torturuan dhe u vranë, të cilat ia solli kongresistit Tom Lantos në Uashington për ta bindur atë që të udhëtonte në Prishtinë për të parë vetë kushtet e vështira në të cilat kosovarët kanë qenë të detyruar të jetonin.

1990

Në prill të vitit 1990, Lidhja Qytetare sponsorizoi një delegacion prej dhjetë udhëheqësish shqiptarë nga Kosova për të dëshmuar kundër okupimit të Millosheviqit në Kosovë në një seancë dëgjimore të Kongresit për të Drejtat e Njeriut për Kosovën në Uashington.

Në maj të vitit 1990, Kongresisti Tom Lantos dhe Joe DioGuardi udhëhoqën një delegacion në Kosovë duke sfiduar pushtimin serb. Dy muaj më vonë, DioGuardi u ndalua zyrtarisht të kthehej në Jugosllavi nga parlamenti i kontrolluar nga Millosheviqi në Serbi.

Në gusht të vitit 1990, sipas kërkesës së Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, Bob Dole dhe gjashtë senatorë të tjerë të SHBA vizituan Prishtinën, në një ndalesë të shkurtër pas një vizite zyrtare të bërë Bashkimit Sovjetik. Sllobodan Millosheviqi u përpoq që të parandalonte delegacionin që të largohej nga aeroporti i Prishtinës, por ai u tërhoq nga presioni i madh i Uashingtonit.

Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishikojë këto fakte historike dhe të bëjë korrigjimet e nevojshme në pllakë.

Katedralja e Nënë Terezës e bekuar nga Rugova shprehje e pasurisë kombëtare dhe europiane Nga Elida Buçpapaj

Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosovës, ideologu i pavarësisë dhe vizionari më i madh modern Perëndimor shqiptar, posa Kosova u çlirua mbështeti ndërtimin e Katedrales së Nënë Terezës. Dhe dalja e fundit e Rugovës në publik ka qenë më 26 Gushtin e vitit 2005, së bashku me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi, kur vendosi gurëthemelin e katedrales. Atë ditë, që përkon vetëm katër muaj e pak nga dita e vdekjes së tij, ai duke e vendosur atë gur do të thoshte: “Sot është një ditë e madhe për Kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin.” Gurëthemeli i Katedrales përkonte me 95 vjetorin e lindjes të Nënë Terezës. Pesë vjet më vonë katedralja me themele të përuara nga Presidenti Ibrahim Rugova do të mbaronte së ndërtuari.

Kosova duhet t’i kishte ndërtuar me kohë Katedralet e saj, mund të kishte ndërtuar një Katedrale për Skënderbeun, një Katedrale për Konstandinin e Madh, një Katedrale për Pjetër Bogdanin. E njëjta gjë edhe në Shqipëri. Por kjo ishte e pamundur pasi atje diktatura komuniste ikonoklaste i kishte shkatërruar dhe shkallmuar vendet e kultit, ndërsa të gjithë klerikët i kishte varur në litar apo rrasur deri në vdekjen e tyre nëpër burgje. Në të njëjtën mënyrë kishte vepruar edhe regjimi pushtues në Kosovë. Edhe sot e kësaj dite Serbia vazhdon të ndërtojë në Kosovë kisha ortodokse, ndërsa katedralja e Nënë Terezës është e para e këtij lloji. Kultura dhe besim katolik është pjesë e kulturës tonë kombëtare, është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Shqiptarët sot janë me shumicë myslimane, bashkë me autoren e këtij shkrimi, por ky fakt nuk mund ta ndryshojë historinë, se kalimi në fenë e re ka qenë i vonshëm. Përpara se të konvertoheshim në myslimanë kemi qene katolikë, dhe përpara se të bëheshim katolikë kemi qenë paganë. Dhe Katedralet janë monumente të besimit e të kulturës që më mirë se librat e vërtetojnë historinë.

Më ka rënë rasti të vizitoj disa nga katedralet më të famshme të botës.

Kam vizituar Katedralen e Sant Patrikut në New York, atë të Milanos, të Strasburgut, të Këlnit, të Fraiburgut, Katedralet e Baselit, Bernës, Katedralen e Shën Pjetrit në Romë, e ndërtuar në periudhën e Rilindjes së vonë Italiane, dhe në të gjitha herët kam mbetur e befasuar nga gjenia e artistëve, arti i të cilëve është hyjnor që të bën të besosh se përjetësia ekziston.

Zakonisht Katedralet ku ndërthuret stili gotik me atë romak, ku përzihen periudha e Mesjetës me të Rilindjes, janë vende liturgjie dhe lutjesh, por janë edhe vende pelegrinazhi, si pjesë e trashëgimisë kulturore të qytetërimit evropian, si monumente të kulturës Perëndimore. Kush viziton sot Katedralen e Shën Pjetrit në Romë, një nga arsyet e forta për ta bërë këtë vizitë është për të parë nga afër të gjallë mrekullinë e Mëshirës të Mikelanxhelos, një kryevepër e artistit të Rilindjes italiane punuar mrekullisht në mermer.

Në Katedralen Kelnit buzë lumit Rin, më e madhja në Evropë, të mahnit stili gotik, ndërsa katedralja e Milanos ka shërbyer si frymëzim për Persy Shelley, Alfred Lord Tennyson, Markt Twen etj. etj.

Katedralja e Nënë Terezës, që nga dita e vendosjes të gurthemelit të saj nga Ibrahim Rugova, do të duhej të ndërtohej brenda disa muajsh, do të duhej të ishte madhështore dhe e krahasueshme me Katedralet më të famshme të botës, si ato të përmendura më sipër, dhe ai gur themeli që vuri Rugova nuk do të duhej të kthehej kurrsesi në pretekst për të nisur një fushatë makabre kundër tij, ndërsa ishte në shtratin e vdekjes, duke shpifur sikur Rugova e merrte këtë nismë sepse ishte konvertuar në katolik, kur Rugova e ndërmerrte këtë nismë nga pozitat e një burrështeti me përmasa evropiane.

Kundërshtarët diabolikë të Rugovës bëjnë sikur harrojnë se figurat e shquara të katolicizmit shqiptar, janë në fakt figurat më autentike të ruajtjes dhe konservimit të identitetit tonë kombëtar, si një nga kombet më të lashta të Evropës.

Në këtë kontekst, trashëgimia katolike kristiane e shqiptarëve nuk ka se përse të fshihet, përkundrazi ajo do të duhej të evidentohej me kohë, dhe meqë diktatura dhe pushtuesi nuk na e kishte lejuar, atëhere e kemi për detyrim moral që të përmbushim ato boshllëqe, të shkaktuara me qëllim nga ata që kishin ndërmarrë kundër nesh fushata shfarosëse apo ata që e kishin kthyer Shqipërinë në tokë të ndaluar për Nënë Terezën e shqiptarët i kishin ndërsyer në fushatat vëllavrasëse të luftës të klasave. Andaj ndërtimi i Katedrales të Nënë Terezës duhet të jetë vetëm fillimi i këtij rizgjimi, që në fund të fundit është shprehja më kuptimplotë e tolarancës së shqiptarëve.

(Ky shkrim i botuar në 2010 është përmbledhur në librin me publicistikë të Elida Buçpapajt “Tirania e Tranzicionit”, Onufri 2013)

Tuneli San Gotthard u inagurua më 5 shtator 1980

voal.ch – Tuneli rrugor San Gotthard u ndërtua midis viteve 1970 dhe 1980.

Ai lidh veriun dhe jugun e Alpeve dhe u përurua në 5 Shtator 1980.

Prerja e shiritit iu besua Këshilltarit Federal Hans Hürlimann. Tuneli lidh autostradën A2 midis Bazelit dhe Chiasso.

Punimet filluan më 5 maj 1970 dhe inagurimi u bë më 5 shtator 1980, me një kosto prej 686 milionë franga.

 

Giovanni Lombardi

Konstruktor i tunelit ka qenë inxhinieri Giovanni Lombardi (1926 – 2017). Ishte një nga ekspertët më të shquar në realizimin e digave dhe punimeve nëntoksore dhe hidraulike. Në 2006 fitoi konkursin ndërkombëtar për të projektuar tunelin hekurudhor që do të lidhë Afrikën me Europën përmes ngushticës të Gjibraltarit. Tuneli do të jetë 40 km e do të lidhë Tarifa, Spanjë me Tangeri, Marok. Tuneli do të kushtojë 5 miliardë Euro dhe do të fillojë  në 2025.

Ndërsa në Tunelin rrugor të San Gotardit për 40 vjet tunelin e kanë kaluar 240 milionë mjete.

Kolona më e gjatë ka qenë 60 km.

Tuneli rrugor i San Gotardit lidh fshatrat Göschenen në kantonin Uri me Airolo të kantonit Tiçino.

Në momentin e inagurimit ishte 16,942 km i gjatë, tuneli rrugor më i gjatë në botë.

Tani më i gjatë është  tuneli Lærdal,me gjatësi 24,51 km i hapur në Norvegji më 27 nëntor 2000.

Me anë të një referendumi më 28 shkurt 2016, 57 % e popullit zviceran u shpreh në favor të hapjes të një galerie të dytë rrugore.

Kalimi i masivit të San Gotthard mund të bëhet gjithashtu përmes kalimit  tunelit hekurudhor prej 57,104 kilometra i gjatë që u ndërtua midis Erstfeld dhe Bodio, i cili u përurua në 1 Qershor 2016, me në kosto 12 miliardë franga./EB

 

“Ja kam dhan besën e shqiptarit Zotit me sjellë dashni e paqe”! Ekspozohet letra e rrallë e Nënë Terezës në shqip (FOTOT)

Tri dorëshkrime të Nënë Terezës, përfshi një letër e cila vjen për herë të parë në origjinal për sytë e publikut, u ekspozuan në vigjilje të ditës së shenjtërimit të saj në COD, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, në praninë e Kryeministrit, përfaqësuesve të bashkësive fetare dhe akademikëve.

Letra që ekspozohet për herë të parë në origjinal daton më tetor 1989 dhe përmban pasazhe shqip. Ajo ka qenë në fondin e papërpunuar të Ramiz Alisë dhe u evidencua gjatë procesit të përpunimit vetëm pak ditë më herët.

“Zemra jeme ka ni dishir të madhe me ardh në Shqipni” shkruante Nënë Tereza në letrat e saj, dorëshkrime të cilat ruhen me shumë kujdes në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se trashëgimia që Shën Tereza na la dhe porosia e saj për të ndezur një qiri në vend se të mallkojmë errësirën, janë një burim drite e frymëzimi për të lënë gjurmën tonë në rrugën e kësaj jete që na është dhënë përkohësisht.

“Unë ja kam dhan besën a shqiptarit Zotit me prue dashni and pagje mbi gjithë botën”. “Kemi zemër për të dashur dhe duar për të shërbyer”. “Të duash të të duan, kjo është jeta”. Këta janë fjalën në gjuhën shqipe, me të cilat Tereza do t’i drejtohej 31 vite më parë, në 29 tetorin e 1989-s, Presidentit të kohës, Ramiz Alia. Shenjta Tereza e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në gusht të 1989-s. Ishte shumë emocion, kisha kuriozitet të madh dhe pse mundësia për ta ndjekur pas në hapat e saj nuk është ajo që është sot. Letra e saj e tetorit të vitit 1989 ka qenë e papërpunuar në Arkivin e Shtetit. Përpunimi i arkivit të asaj kohe ka përfunduar vetëm në 2020-n. 30 vjet për të përpunuar një thesar informacioni, duke iu referuar dokumenteve autentikë”, u shpreh kryeministri Rama.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido tha se fjalët e saj në gjuhën amtare përmbajnë simbolikën e mbrujtjes së traditës së kombit nga vjen, që i mundësoi të bëhej përtej kombeve shenjtorja e të varfërit dhe të vobektit, e humanizmit dhe e dhembshurisë, e mbi të gjitha shënjtorja e dashurisë së njeriut ndaj njeriut.

“Në këtë vigjilje të ditës së shenjtërimit të saj prej një feje, por njëherazi festë zyrtare në Shqipëri përtej çdo feje, nuk menduam mënyrë më të mirë, bashkë me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, që shenjtërinë e shqiptarinë e Nënë Terezës ta përcillnim veçse përmes fjalëve të saj; në tre letra dorëshkrim të cilat ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror dhe një fotografi të rrallë gjatë vizitës së saj në Shqipëri”, tha Dr. Bido.

Më pas fjalën e mori Imzot George Frendo, Kryetari i Konferencës Ipeshvore të Shqipërisë i cili tha se Nënë Tereza edhe pse një murgeshë katolike ajo është ikonë për të gjithë shqiptarët, për të gjithë shoqërinë, ndërsa tha se Nënë Tereza është personazhi më popullor i shekullit të XX.

“Çdo njeri ka nevojë për respekt, për dashuri pavarësisht nga situata e tij. Çdo njeri ka një dinjitet të pazëvendësueshëm. Ky është besoj unë kontributi i madh i saj dhe prandaj ka merituar çmimin Nobel për Paqen” u shpreh Imzot George Frendo.

Gjatë fjalës së tij studiuesi Shaban Sinani ndau me të ftuarit se sa i lumtur ndihej që ai kishte patur fatin të takonte Nënë Terezën në vitin 1993 dhe se në atë takim kishte bërë një gabim pasi i kishte kërkuar Nënë Terezës një intervistë dhe përgjigja e saj kish qenë e shkurtër duke i thënë se nuk kishte dhënë kurrë ndonjë intervistë por nëse do të donin mund të thonte diçka për gazetë.

“Nënë Tereza një personalitet që përcillte kumte dhe jo dialogje, dhe kumti i saj u botua fjalë për fjalë ashtu si e tha në komunikimin e bërë “E doni shqipërinë duke dashur njëri tjetrin” tha Sinani.

Ekspozita “Nënë Tereza, Shenjtorja Shqiptare” do të qëndrojë e hapur në COD sot, datë 5 shtator 2020 nga ora 09:00 deri në orën 21:00.

Hyrja në ekspozitë është e lirë, duke respektuar rregullat mbi masat kufizuese të shpallura nga Ministria e Shëndetësisë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Në vijim ekspozita do të projektohet në fasadën e jashtme të ndërtesës së Kryeministrisë në datat 5, 6 dhe 7 shtator 2020, nga ora 20:00 deri në mesnatë.


Send this to a friend