VOAL

VOAL

Domosdoshmëria e Legalitetit – Nga EKREM SPAHIU

November 24, 2019
blank

Komentet

blank

Të shpërndarë në 6 shtete të Gadishullit Ballkanik, sfidat politiko-juridike të botës shqiptare në mileniumin e ri- Nga Prof. Ksenofon Krisafi

Në vitin 1897, Abdyl Frashëri, një ndër shtetarët dhe diplomatët më të mëdhenj të trojeve shqiptare, i shkruante kryeministrit italian, arbëreshit Francesco Crispi:

Në rast se fuqitë e mëdha do ta dënojnë këtë popull trim dhe liridashës të mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet midis shteteve fqinje, gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë asnjëherë së luftuari për të fituar pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor i paqes dhe do të kthehet në një digë kundër ekspansionit carist, i cili rrezikon jo vetëm gadishullin Ballkanik, por edhe kontinentin Evropian”.

Zhvillimet e deritanishme, përgjithësisht të karakterit toksik, e kanë provuar profecinë dhe aktualitetin e thënies së tij. Ballkani ka qenë dhe vazhdon të jetë “fuçi baroti”, paqja vazhdon të mbetet seriozisht e kërcënuar nga padrejtësitë e ricikluara kohë pas kohe dhe rreziku rus sërish i pranishëm si qëmoti.

Një ndër këto padrejtësi lidhet me moszgjidhjen e duhur të të ardhmes politike të shqiptarëve, e cila, siç thotë profesori i madh, Rexhep Qosja, “pjesërisht është përmirësuar, pjesërisht është zgjidhur, por nuk mund të quhet historikisht e zgjidhur. E shikuar e shprehur në gjithë shtrirjen e saj gjeografike dhe demografike me mënyrën e jetës së tyre në trojet ku shqiptarët janë popullatë e vetme a shumicë etnike, çështja kombëtare mbetet edhe më tej çështje e rëndë kombëtare, njëra nga më të rëndat në Evropë sot.

Ajo shtrohet në formën e pyetjes retorike se ç’do bëhet me shqiptarët, një popull që, duke qenë të shpërndarë në 6 shtete të gadishullit ballkanik, përbëjnë një nga rastet më të rralla në Europë e në botë?

Nga zgjidhja e saj me urtësi dhe sens objektiviteti do të varet jo vetëm e ardhmja e tyre, por edhe paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor, zhvillimet dhe prosperiteti politik, ekonomik e social i popujve të tjerë në gadishull dhe në Europë.

Në vijim do të flitet shkurt për aspektet juridiko-ndërkombëtare të alternativave të mundshme për zgjidhjen e saj.

Konservimi i status quos aktuale, do të nënkuptonte vazhdimin e politikave asimiluese ndaj shqiptarëve që nuk janë pjesë e Shqipërisë dhe Kosovës, do të inkurajonte për arbitraritete të tjera ata të cilët iu mohuan gjuhën, përkatësinë etnike, iu mbyllën shkollat, iu prishën kishat dhe xhamitë, iu ndërruan emrat, kombësinë, fenë, i dënuan me amnezi historike dhe kombëtare, çka nuk pajtohet me konceptet dhe sjelljet moderne të qytetërimit të sotëm.

Kjo çështje kombëtare, ende e pazgjidhur në formën e saj më të përshtatshme, pret ditë më të mira. Një ndër alternativat, e ndryshme nga ajo që u përmend më sipër, është organizimi i shqiptarëve në një shtet kombëtar, siç ka ndodhur me fqinjët rreth një shekull e gjysmë më parë.

Kjo është jashtëzakonisht e vështirë, në mos e pamundur, sepse mund të preken realitete, mund të cenohen tërësi territoriale shtetesh, mund të prishen ekuilibra gjeopolitikë që ekzistojnë prej rreth një shekulli dhe mund të hapen probleme të reja.

Prandaj, zgjidhja optimale, relativisht më pak e komplikuar dhe njëkohësisht më e mundshme nga pikëpamja gjeopolitike dhe juridiko-ndërkombëtare, do të ishte integrimi-bashkimi kombëtar Shqipëri-Kosovë, shoqëruar edhe me ndërhyrje të rëndësishme për përmirësimin e statusit të shqiptarëve që mbeten jashtë këtij unioni. Është rekomanduar si një ndërmarrje që mund të kontribuonte pozitivisht krijimi i një commonwealth-i ekonomik ballkanik madje edhe shqiptar, por me sa duket jo i mirëpritur.

*****

Kështu që diskutimet fokusohen te bashkimi Shqipëri-Kosovë, i përkufizuar butë si integrimi ose edhe vëllazërimi ndërshqiptar. Ai mund të shfaqet në dy variante. I pari, i ashtuquajturi “bashkim në Bruksel”, mendohet se do të realizohet kur Shqipëria dhe Kosova dhe bashkë me to edhe Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ku jetojnë disa dhjetëra mijëra shqiptarë, të anëtarësohen në BE.

Aty shqiptarët do të kenë mundësi të gjithë ta konsiderojnë vetveten qytatarë të Europës së Bashkuar, rrjedhimisht edhe pjesë e një Shqipërie të Bashkuar. Do të kenë mundësi që, si shtetas europianë, të qarkullojnë, të vendosen, të jetojnë, punësohen, shkollohen, mjekohen etj kudo, pra edhe në të gjitha territoret shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi, Greqi etj.

Ky bashkim do të ishte më i thjeshti dhe pa kosto. Por nga disa qarqe shqiptare ai nuk konsiderohet si bashkimi i mirëfilltë, si realizimi i plotë i përfytyrimeve dhe dëshirës që kanë shqiptarët për të ardhmen e tyre politike. Dozat e mosbesimit shtohen sidomos nga qëndrimet e vazhdueshme kërcënuese të Beogradit, të përqëndruara sistematikisht në veri të Kosovës, ku ndonjëherë marrin trajta të qarta agresive, që rrezikojnë jo vetëm shqiptarët, por edhe paqen dhe sigurinë në rajon.

Dëshirën e shqiptarëve për krijimin e një atmosfere besimi me serbët e komprometojnë keqas sidomos përqendrimet e forcave ushtarake përreth Kosovës, si dhe rritja e konsiderueshme e dispozitivit luftarak nga Serbia, nëpërmjet blerjeve të armëve moderne në Rusi dhe vende të tjera dhe stacionimi i tyre në kufij me të.

Ato shtojnë pikëpyetjet te shqiptarët për efikasitetin e integrimit ndërshqiptar në formën e lartpërmendur të anëtarësimit në strukturat e Brukselit të shteteve, në territoret e të cilëve banojnë shqiptarë. Në këto rrethana ata preferojnë një bashkim më të ngushtë, mundësisht ndërshqiptar, i cili shoqërohet me shumë vështirësi. Më së paku, për zbatimin e tij, duhen përballuar ky kushte, të lidhur dhe të kushtëzuar me njëri tjetrin.

I pari, ka të bëjë me përgatitjen e një mjedisi të përshtatshëm dhe të pranueshëm politik, i cili nuk varet  vetëm nga faktori lokal, por domosdoshmërisht edhe nga pëlqimi, madje nga konsensusi i  ndërkombëtarëve. Zhvillime të tilla shoqërohen me reperkursione të thella politike, ekonomike, sociale etj, rajonale, çka, veç pëlqimit të fqinjëve, kërkon detyrimisht edhe marrëveshjen me Fuqitë e Mëdha, sepse ato vazhdojnë të shfaqen në rolin e arbitrit suprem duke mbajtur ekskluzivitetin e prerogativave të përcaktimit të zgjidhjeve të një rëndësie kaq madhore.

Për identifikimin e zgjidhjes së pranueshme mund të mbahen parasysh disa nga përvojat pozitive ndërkombëtare, si ato të bashkimit të Vietnamit, Jemenit dhe sidomos precedenti gjerman, që duket si më i përshtatshmi. Për të janë shprehur rezerva me justifikimin se nuk ka ngjashmëri me  rastin shqiptar, çka, sipas meje, nuk qëndron. Prej tij mësohet se duhen ndjekur paralel aspekti politiko-diplomatik dhe ai juridiko-ndërkombëtar.

Joshja e faktorit nërkombëtar drejt zgjidhjeve të qëndrueshme lypset sepse nuk përjashtohet që fuqi të interesuara, të përdorin ndikimin e vet për ruajtjen e status quos në arkitekturën politike në Ballkanin Perëndimor ose të pranojnë vetëm ndryshime në dobi të tyre.

Nëse do të arrihet që kushti politik, të realizohet me sukses duhet përballuar i dyti, gjetja e argumenteve me karakter juridiko-ndërkombëtar, mbi të cilat duhet të mbështetet kërkesa e shqiptarëve për afrim, integrim ose bashkim kombëtar. Doemos do të operohet nëpërmjet normave të së drejtës ndërkombëtare, e cila, ndryshe nga degët e tjera të së drejtës, është një soft law, efikasiteti i së cilës mbetet relativ, që do të thotë se shërbimi eventual i ofruar prej saj, të mos pranohet nga të gjitha palët.

Sidoqoftë, duke i parë me optimizëm zhvillimet e kësaj çështjeje, bashkimin kombëtar të shqiptarëve, mundësitë, format dhe emërtimet etj, e drejta ndërkombëtare i trajton në kuadrin e bashkimeve juridike, ndër të cilat më kryesoret janë bashkimi në formën e shtetit unitar, federal, unionit real, personal, konfederatës etj.

*****

Natyrisht varianti më i favorshëm, do te ishte bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë në formën e shtetit unitar ose shtetit federativ. Por ato, në rrethanat aktuale, duken mjaft të vështira. Prandaj, zgjidhja e çështjes kombëtare të shqiptarëve, një hap të parë jo pa rëndësi, mund ta gjente në formën e konfederatës shqiptare, nëse nga faktori ndërkombëtar nuk do pranohet alternativë tjetër, më e favorshme.

Ajo do të ishte më e mundshme, më pak “komprometuese” sepse konfederata nuk është shtet i bashkuar, por bashkim politik shtetesh, aleancë ndërkombëtare, e krijuar nëpërmjet një traktati ndërkombëtar midis shteteve sovrane, për arritjen e një qëllimi të caktuar  në fushën e politikës së mbrojtjes, asaj të jashtme, zhvillimit ekonomik etj. Konfederata është bashkim i përciptë, i paqëndrueshëm, i ndërmjetëm, që çon ose drejt shthurjes ose drejt një bashkimi më të ngushtë, federatës ose shtetit unitar.

Eshtë formë tipike e shekujve të mëparshëm, por ka pasur të tilla edhe më vonë. Në vitet 1981-1982 u krijua bashkimi konfederativ i Senegalit dhe Gambias, me emrin Senegambia.

Anëtarët e konfederatës mbeten subjekte të së drejtës ndërkombëtare, që do të thotë se Shqipëria dhe Kosova, por nuk përjashtohen as Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, nëse themelojnë konfederatën shqiptare, nuk do të shkrihen në një shtet.

Konfederata mund të shërbejë për lehtësimin juridiko-institucional të intensifikimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve duke iu dhënë atyre edhe mundësinë që të krijojnë bindje të qëndrueshme nëse e duan bashkimin Shqipëri-Kosovë apo preferojnë të vijojnë rrugëtimin politik si dy shtete më vete. Ai mund të shërbejë gjithashtu për të bindur ndërkombëtarët për ta pranuar, kushtëzuar ose për ta penguar dëshirën e tyre për bashkim, siç vepruan 110 vjet më parë.

Avancimi i mëtejshëm në procesin e bashkimit Shqipëri-Kosovë si federatë, doemos në varësi të rrethanave, mund të ngjallte kundërshtimin e fqinjëve, ndoshta edhe të disa Fuqive të Mëdha. Nga pikëpamja formalo-juridike ato mund të vepronin duke mos akorduar njohjen ndërkombëtare.

Shqiptarët janë të detyruar të shpresojnë se faktori ndërkombëtar do të ndërgjegjësohet për domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar Shqipëri-Kosovë në një formë të pranueshme për të gjithë faktorët e interesuar. Ata duhet gjithashtu të tregojnë mirëkuptimin e duhur, veçanërisht  për qëndrimin e ndërkombëtarëve, të cilët i kanë dhënë provat e vlerësimit pozitiv të shqiptarëve, nëpërmjet kontributit vendimtar në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Shqiptarët gjithashtu duhet të ndërgjegjësohen se nuk janë kërthiza e botës, dhe duhet të bëjnë kujdes që të mos këmbëngulin për adoptimin e zgjidhjeve që iu interesojnë vetëm atyre.

Duhet t’i akomodojnë interesat e veta brenda realiteteve gjeostrategjike të krijuara, të  ngurtësuara dhe të çertifikuara prej kohësh. Shqipëria nuk i ka as fuqitë, as mundësitë, as kapacitetet, (pavarësisht se ka aleatë strategjikë të mëdhenj si SHBA dhe disa vende të fuqishme të BE-së që janë të bindur në drejtësinë e kauzës shqiptare) prandaj hë për hë këto kërkesa tonat mund të mos pranohen sepse mund të konsiderohen si projekte që prishin ekuilibra dhe të përmbysin raporte forcash gjeopolitike.

Nuk duhet harruar gjithashtu fakti që kur ëndrrat dhe aspiratat e saj të ligjshme mund të mbroheshin dhe të realizoheshin, ajo nuk mundi, sepse ndoshta ishte pa aleatë, e rrethuar nga armiq të egër, ose edhe e pafuqishme. Dhe, megjithëse u përpoq, luftoi dhe derdhi gjak për mbrojtjen e trojeve të veta, ato ia morën, vendin e copëtuan, e përgjysmuan. Eshtë fakt se ajo u çlirua e fundit nga zgjedha osmane. Dhe me keqardhje duhet pohuar se kur shqiptarët fituan pavarësinë, e para gjë që bënë disa prej tyre, ishte kacafytja se kush do të qeveriste.

Pas krijimit të qeverisë së Vlorës nga Kuvendi Kombëtar, të tjerë shqiptarë, krijuan edhe 5 të tjera, duke parcelizuar domenet e tyre. Një prej tyre ishte Esat Pasha, të cilit Ismail Qemali i besoi portofolin e ministrit të brendshëm në qeverinë e Vlorës. Disa muaj më pas, nën pretekstin e një inspektimi në rajonet e Shqipërisë së Mesme, ai u largua nga Vlora drejt Durrësit, ku më 12 tetor 1913, shpalli krijimin e Pleqësisë së Durrësit.

Siç u tha, qëndrime të tilla nuk mund të jenë pa kosto për paqen dhe sigurinë aktuale rajonale e më gjerë, prandaj lypset realizëm, mirëkuptim dhe prudencë e madhe për opsionet që do të përzgjidhen.

Afrimi ose bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, do të ndikonte në radhë të parë në të ardhmen politike, ekonomike, sociale etj të shqiptarëve të të dy vendeve. Por, ai do të krijonte situata të favorshme që edhe çështja e statusit të popullsisë shqiptare shtetformuese në Maqedoninë e Veriut, ose pakicave shqiptare në Kosovën Lindore (Lugina e Preshevës), Malin e Zi etj, të trajtohet më mirë, në kuadrin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Nën mbrojtjen e dy shteteve shqiptarë, të cilët, të bashkuar në një formë të caktuar juridiko-ndërkombëtare, do të shfaqen me një zë më autoritar, ata do të kenë mundësi të deklarojnë lirshëm se ndjehen shqiptarë, se duan të kenë institucionet e veta politike, shkollore, kulturore, fetare, duan të flasin dhe të mësojnë gjuhën amtare.

*****

Zgjidhjet bashkëkohore për ta dhe për rajonin vijnë vetëm nga forcimi i bashkëpunimit midis shteteve të tij, respektimi rigoroz i normave dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Mbështetja te Rusia, siç thoshte Abdyl Frashëri, është rrezik i përhershëm i lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve, ballkanasve në përgjithësi dhe i Europës. Dëshmi janë zhvillimet tragjike të vitit 2022 në Ukrainë dhe situatat potencialisht eksplozive në veriun e Kosovës.

Vihet re se qarqe të ndryshme politike në disa nga shtetet fqinjë, i intimidojnë shqiptarët, i akuzojnë se bashkimin e duan për të krijuar Shqipërinë e Madhe, gogolin e krijuar dhe të hedhur në qarkullim prej tyre, me qëllimin djallëzor të frikësimit të faktorit ndërkombëtar. Duket se nisur nga shembëlltyrat e projektuara në shtetet e tyre, mendojnë se shqiptarët kërkojnë Shqipërinë e Madhe që të hakmerren ndaj fqinjëve mëkatarë dhe të krijojnë probleme për ta dhe paqen ballkanike.

Ndërkohë disa nga Fuqitë e Mëdha, teksa iu tërheqin pa të drejtë vëmendjen shqiptarëve, heshtin për shkaktarët e vërtetë, serbët dhe të tjerët, për të mos thënë që ndonjëherë edhe i llastojnë.

Shqiptarët dhe sidomos ata që janë në krye të tyre, nuk kanë arsye që të ngurojnë për ta shprehur haptas dëshirën për integrimin – vëllazërimin Shqipëri-Kosovë, si një ndër të drejtat e veta natyrore më sublime. Përveçse realizim i pjesshëm i një aspirate legjitime, ai nuk drejtohet kundër fqinjëve. Nuk synohet që t’iu prishen atyre shtetet e veta. Shqiptarët duan vetëm të restaurojnë, për aq sa është e mundur, brenda logjikës dhe arsyes, normave dhe parimeve themelore të së drejtës aktuale ndërkombëtare, drejtësinë e dhunuar një shekull e ca më parë, të integrojnë dy hapësirat territoriale të banuara gati 100 % nga popullsi autoktone kompakte shqiptare, që shtrihen në vazhdim të njëra tjetrës.

*****

Nëse realisht e dëshirojnë atë, ka ardhur koha që të përgatisin dhe të miratojnë zyrtarisht platformën strategjike të të ardhmes së vet politike, natyrisht jo si shembëlltyrë të “Megali Idesë” ose të “Naçertanias”, sepse ato janë ngritur dhe bazohen në politika agresive e ekspansioniste kundër fqinjëve. Platforma e tyre duhet të përshkohet nga integrimi ndërshqiptar, progresi ekonomik e social, garantimi i paqes dhe sigurisë rajonale, fqinjësia e mirë, bashkëpunimi me fqinjët dhe shtetet e tjerë etj.

Përgatitja e saj iu duhet besuar politikanëve me integritet, të përkushtuar ndaj interesave kombëtare shqiptare, që vlerësojnë dhe ushqejnë respekt ndaj fqinjëve. Ata duhet të njohin shumë mirë historinë, realitetet aktuale, të shohin me largpamësi të ardhmen, të kenë dëshmuar mençuri, përgjegjshmëri, realizëm dhe mirëkuptim për bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Së bashku me ta duhen angazhuar edhe studiuesit, akademikët, specialistët më të spikatur në këtë fushë, nga Shqipëria, Kosova, territoret shqiptare përreth dhe në diasporë, që të identifikojnë dhe të argumentojnë në çdo aspekt alternativat më të përshtatshme të zgjidhjes së çështjes shqiptare.

Ajo nuk iu duhet lënë improvizimeve të imponuara nga entuziazmi foklorik, romantizmi nacionalist ose nga reagimet emocionale që mund të shkaktohen nga zhvillime ekstreme në kufijtë e Kosovës me Serbinë.

Në këtë mënyrë do të jetë më i lehtë adoptimi nga organet kompetente të shteteve shqiptare, fqinjëve dhe Fuqive të Mëdha, i një zgjidhjeje të drejtë të një çështjeje që ekziston realisht.

Kështu do të kontribuohet më mirë për arritjen e qëllimit të shqiptarëve, afirmimin e tyre ndërkombëtar, anëtarësinë e Shqipërisë dhe Kosovës në BE, të Kosovës në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare etj. Do të kontribuohet edhe për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë.

*****

Duke folur për këtë çështje është e domosdoshme të mos harrohet se prej rreth dy shekujsh, historia ka dëshmuar që shqiptarët janë trajtuar si kurbani i paqes dhe i stabilitetit rajonal e kontinental. Kështu veproi 110 vjet më parë Konferenca e Ambasadorëve e Londrës. Më 12 gusht 1913, të nesërmen e përfundimit të punimeve të saj, Eduard Grei që e kryesonte, deklaroi se “unë e di fare mirë se kur gjithëçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe që e gjykon çështjen nga një pikëpamje e ngushtë lokale.

Duhet të mos harrohet se gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të tillë, qëllimi kryesor ka qënë që të ruhej marrëveshja midis vetë Fuqive të Mëdha (korsivi i autorit) dhe, në qoftë se vendimi mbi Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëhere ai e ka bërë punën më të rëndësishme në dobi të paqes në Europë.”

Kjo frymë padrejtësie ka vazhduar dhe, për fat të keq, vazhdon të shfaqet sërish herë pas here. Shfaqet në kërkesat që iu bëhen shqiptarëve për lëshime ndaj “më të fortëve” të gadishullit në emër të paqes dhe të sigurisë. Mendoj se qëndrimi skajshmërisht i përulur ndaj thirrjeve të tilla, që mund të marrë trajtat e sakrifikimit të interesave dhe dinjitetit kombëtar, duhet të marrë fund.

Ndërkombëtarëve që ua kërkojnë paqen vetëm shqiptarëve, iu duhet lënë të kuptojnë se paqja nuk iu nevojitet vetëm atyre, por të gjithëve, ju duhet edhe fqinjëve, të cilët, prej rreth një shekulli e gjysmë, e turbullojnë dhe e shkatërrojnë atë, duke provokuar dhe sulmuar të tjerët, në mënyrë të veçantë shqiptarët, të cilët nuk kanë sulmuar asnjëherë të tjerët, por vetëm janë mbrojtur me heroizëm dhe dinjitet, siç bënë edhe në luftën e fundit të Kosovës.

Duke shpresuar dhe insistuar në mirëkuptimin e të interesuarve, duhet të thuhet pa asnjë ndjenjë kompleksiteti se janë pikërisht fqinjët ata që kanë detyrime ndaj paqes ballkanike. Nuk iu lejohet që me pretekste të rëndomta të simulojnë, të intimidojnë, të kërcënojnë dhe të trazojnë Ballkanin. Atyre iu duhet kërkuar që të kenë kurajon e duhur dhe të përballojnë, për aq sa iu takon, kostot e të ashtuquajturës paqe, për të cilën flasin ndonjëherë pa u menduar shumë edhe disa nga funksionarët e Brukselit a të Nju Jorkut.

E para gjë që ata duhet të bëjnë është t’i lënë të qetë shqiptarët. Nuk ka pse në emër të një paqeje fiktive të ndalohen shqiptarët të kenë shtetin e vet kombëtar, në formën më të përshtatshme të mundshme, në një kohë kur të tjerët, i kanë krijuar shtetet “e veta” madje “të mëdhenj”, madje edhe në shkelje të parimeve dhe normave themelore të së drejtës ndërkombëtare, duke aneksuar trojet e shqiptarëve.

Nuk ka arsye që ata të përmbushin kërkesat tekanjoze të prindërve dhe të pranojnë të cedojnë nga territori, sovraniteti, paqa dhe siguria e tyre kombëtare.

*****

Nuk mund të mos vihet në dukje me kënaqësi se paralel me diskutimet teorike, politike, diplomatike e juridike rreth bashkimit Shqipëri-Kosovë, prej afro 15 vjetësh ekziston dhe zhvillohet dita-ditës një realitet tjetër, i pamohueshëm inkurajues edhe pse i paçertifikuar zyrtarisht. Ai është bashkimi de facto i një lloji të veçantë i Kosovës me Shqipërinë. Shprehet në faktin që kufiri i tyre sikurse edhe shumë barriera të tjera që ndajnë shtetet, janë hequr ose janë duke u hequr. Janë ndërmarrë hapa sistematikë, të konkretizuara në mbledhjet e përbashkëta të të dy qeverive.

Madje këto ditë me rastin e kremtimit të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, pati një tjetër episod domethënës. Të dielën e 27 dhjetorit 2022, deputetet e të dy shteteve shqiptarë, Shqipërisë dhe Kosovës, zunë vend në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ku u zhvillua një seancë emocionuese, e pandodhur ndonjëherë më parë.

Ajo çka u pa në ekranet e televizioneve që e transmetuan, e çon kujtesën e cilitdo, 110 vjet më parë, në Kuvendin e Vlorës, të thirrur nga Ismail  Qemali. Edhe atëhere, në pasditen e 28 nëntorit 1912, në shtëpinë e kushëririt të tij, u mblodhën 37 vetë, të cilët në ditët në vazhdim u bënë 63. Ishin drejtues ose veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që vinin nga të gjitha viset shqiptare, veçanërisht nga Kosova, Maqedonia, Çamëria etj.

Nuk mbërritën dot Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj, të burgosur në Beograd, si edhe Bajram Curri, që u pengua nga luftimet gjatë rrugës. Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, të mandatuar në përshtatje edhe me rrethanat e kohës, si përfaqësues të të gjithë popullit shqiptar, duke përfshirë edhe rajonet “që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.”

Përngjasimet kanë të bëjnë vetëm me simbolikën dhe jo me thelbin e ngjarjeve. Sepse në 1912 përfaqësuesit e të gjithë shqiptarëve u mblodhën në Vlorë për ta bërë shtet gjithë Shqipërinë. Me shumë dhimbje dhe një peng të madh shpirtëror, e bënë vetëm në letër dhe në zemrën e tyre. Sepse diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe fqinjët e penguan realizimin e projektit të tyre.

Mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve shqiptare, në Tiranë, në nëntorin e 2022, mund të interpretohet edhe si tregues që ëndrra shekullore e shqiptarëve për bashkimin institucional të politikës në Shqipëri dhe në Kosovë, bëri një tjetër hap shumë të rëndësishëm. Për herë të parë deputetët e parlamentit të Kosovës dhe ata të Shqipërisë, të ulur së bashku në  sallën e kuvendit në Tiranë, iu përcollën kancelerive vendimmarrëse botërore mesazhin e bashkimit jo thjesht në mënyrë simbolike. Transmetuan dëshirën e shqiptarëve për të menduar dhe për të gjetur zgjidhjen e duhur për çështjen shqiptare, ende të pazgjidhur.

Përvoja e tetë mbledhjeve të përbashkëta të qeverive u çua më përpara. Edhe pse arritjet nuk janë ato që do të dëshirohej, përsëri ka rezultate premtuese. Mund të përmenden abetarja e përbashkët, puna për fjalorin enciklopedik, unifikimi i tregjeve të punës, angazhimet për unifikimin doganor dhe një sërë projektesh të tjera të rëndësishme.

*****

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete sovrane, por askush nuk mund ta mohojë se në hapësirat e tyre territoriale jeton një komb, një popull, që flet një gjuhë, që ka një kulturë, një histori, një qëllim, një aspiratë, një të ardhme dhe një orientim strategjik afatgjatë euro-atlantik. Aty mbizotëron ndjesia e përkatësisë së përbashkët etnike, shpirtërore, zakonore.

Pjesë të këtij kombi që ndodhen në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, po përjetojnë gjithashtu zhvillime pozitive, të cilat përfaqësojnë realitete të paimagjinueshme deri para disa vjetësh. Përveç Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat drejtohen nga shqiptarët, edhe në dy shtete të tjerë në Ballkan në poste të larta drejtuese ka shqiptarë.

Në Mal të Zi është kryeministri Dritan Abazoviç, në Maqedoninë e Veriut shqiptari Talat Xhaferri drejton parlamentin, shqiptari tjetër Artan Grubi është zëvendëskryeministri i parë. Prania e tyre në drejtimin e organeve qendrore nuk mund të mos ndikojë pozitivisht në statusin e shqiptarëve që banojnë në trojet e veta në këto shtete.

Një tjetër zhvillim domethënës është edhe ai që vërtetohet me shqiptarët që jetojnë jashtë trojeve të veta. Me prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Çamëria etj, ata mblidhen herë pas here së bashku për të kremtuar ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare ose krishtlindjet dhe festa të tjera fetare. Të gjithë edhe pse mund të kenë dekada që e kanë lënë vendin për arsye të ndryshme, ruajnë dashurinë për atdheun, vazhdojnë të ndjehen shqiptarë, të orientuar fuqimisht nga shqiptaria, punojnë me aq sa munden për të kontribuar në të mirë çështjes shqiptare, duke i dhënë një mësim të madh dhe shumë të çmuar politikës dhe politikanëve shqiptarë këtu në Ballkan.

*****

Strategjia e përbashkët e zhvillimit ndërshqiptar nuk i kundërvihet bashkësive të tjera në rajon dhe në Evropë. Përkundrazi, fryma emancipuese dhe qytetëruese që sjell në këto kohë politika shqiptare në rajon, nivelet e zhvillimit të shqiptarëve në rajon, i kontribuojnë qëndrueshmërisë së Ballkanit dhe të Evropës. Disa prej fqinjëve të ngarkuar me makthe për shkak të padrejtësive ndaj tyre, i shohin me frikë e dyshim, duke menduar se edhe shqiptarët për simetri udhëhiqen nga të njëjtat paudhësi.

Qëndrimet korrekte të të gjithë segmenteve të politikës shqiptare si nga Tirana, Prishtina, Tetova etj ndaj fqinjëve, të cilëve iu kanë ofruar garanci për bashkëpunim, janë shndërruar në modele që kanë kontribuar për emancipimin e ndërgjegjes së kontinentit, për demokratizimin e rajonit për krijimin e një klime paqeje dhe sigurie rajonale.

Në raport me të huajt, por edhe me vetveten, shqiptarët kanë arritur nivele që nuk i kanë pasur kurrë më parë. Rrugëtimi historik i integrimit-bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ka filluar dhe nuk mund të ndalet. Le t’i besojmë Naim Frashërit, i cili një shekull e ca më parë, thoshte gjithë shpresë se “për Shqipërinë ditët e mira paskëtaj vijnë”.

—–

Bernë, nëntor 2022

Shkrimi i publikuar në DITA mbështetet mbi referatin që autori mbajti në Konferencën shkencore “Sfidat e botës shqiptare në Mileniumin e ri”.

blank

TRAGJEDIA E UKRAINËS NGA NJË DIKTATOR TEK TJETRI- Nga PAOLO MIELI- E përktheu Eugjen Merlika

Do t’ishte e padrejtë të lihej e pavërejtur ajo që Papa Françesku ka thënë në lidhje me ngjarjet e tmerrshme ukrainase të nëntëdhjetë viteve më parë, të mërkurën e shkuar, në fund të pritjes së përgjithëshme. Papa ka cituar haptazi Holodomorin, të përcaktuar prej tij pa lojra fjalësh “çfarosja nga uria e viteve 1932-1933 të shkaktuar artificialisht nga Stalini”. Ka ftuar pastaj të luten për viktimat e atij “genocidi” e në të njëjtën kohë “për shumë ukrainas, fëmijë, gra e pleq që sot vuajnë martirizimin e agresionit”. Në fakt ka këshilluar një krahasim të hapur ndërmjet zisë së bukës n’Ukrainë “të shkaktuar artificialisht” nga rusët në fillim të viteve Tridhjetë, e asaj që stërnipat e vetë atyre rusëve po shkaktojnë në ditët tona në Vëndin e Zelenskit. Për t’i mos i lënë hapësirë dyshimeve, dy ditë mbrapa, Papa Françesku ka ripropozuar krahasimin me Holodomorin në një letër publike “popullit ukrainas”, në të cilën është treguar “i admiruar” nga “zelli i madh” i atij “populli guximtar e të fuqishëm, një popull që vuan e lutet, qan edhe lutet, qëndron e shpreson…. një popull fisnik”. Dhe “martir”. Pikërisht kështu: “një popull martir”.

“Avvenire” i ka dhënë një jehonë të gjërë letrës së Papës. Por drejtori i të përditëshmes, Marco Tarquinio, nuk është kufizuar në atë që, për Konferencën Ipeshkvnore mund të ishte quajtur një detyrë. Ka botuar gjithashtu një intervistë (të Giacomo Gambassit) Ipeshkvit latin të Kievit, Vitali Krivicki. Ipeshkvi ka ritheksuar se ai i viteve Tridhjetë qe “një genocid i planifikuar në tavolinë”. E ka paditur Putinin se don të kryejë tani “diçka të ngjajshëm”. Strategjia e Kremlinit për të “goditur infrastrukturat energjitike”, ka mbështetur Krivicki, “thotë që agresioni rus nuk ka aq synime ushtarake, sa njerëzit tanë: duan t’i vrasin duke përdorur raketat dhe ngricën”. Ose “t’i shtrëngojnë të ikin për të zbrazur Vëndin”.

Fjalë me shumë përgjegjësi, nëse mbahet parasysh se në një pjesë të Evropës ende sot nuk është e qartë se zija e bukës e viteve 1932-33 është dashur “nga lart” (siç ka shkruar Anne Applebaum që asaj tragjedie i ka kushtuar një studim të një dokumentimi të përsosur). Milionë ukrainas, ndoshta pesë, vdiqën nga uria e mundimet sepse kështu kishte vendosur Partia komuniste e Bashkimit Sovjetik. Gjithshka për të mbytur përfundimisht orvajtjet autonomiste që ishin të përhapura edhe ndërmjet komunistëve ukrainas. Simbas dëshmisë së shkrimtarit Vasilij Grossman, gjatë kësaj katastrofe njerëzore ishin vërtetuar deri edhe raste kanibalizmi: “i copëtonin të vdekurit dhe i piqnin, vrisnin fëmijët e tyre dhe i hanin”.

I pari që kuptoi se në fushat përqark Kievit, Kersonit, Karkivit – por edhe brënda qyteteve – kishte ndodhur diçka e përbindëshme qe Rafael Lemkin, docent i së Drejtës ndërkombëtare të Universitetit të Yale, që në 1944 – duke bërë fjalë për të – krijoi termin “genocid”. Ndërsa për të folur publikisht qe Viktor Kravçenko. një i dërguar rus në një mision tregëtar në Shtetet e Bashkuara, që në fund të luftës së Dytë botërore, braktisi Vëndin e tij dhe botoi një libër (“Kam zgjedhur lirinë”), në të cilin padiste tmerret e BRSS stalinian. Më mirë folën pesë dëshmitarë të thirrur për të dëshmuar në gjyqin që u zhvillua në Paris në vazhdim të një padije të ngritur kundër “Letërsisë franceze”, mbasi e përjavëshmja e kishte kthyer në objekt të një fushate tejet të dhunëshme, me gjasë të frymëzuar nga Partia komuniste e Maurice Thorez.

Provat e asaj ploje rrënqethëse të kryer nga rusët në fillim të viteve Tridhjetë, edhe se ende të paplota, ishin të zotërueshme tashmë mbas luftës dhe ishin themelore përsa i përket vështrimit historik sepse të dobishme për të shpjeguar (edhe se jo për të ligjësuar) qëndrimet pronaziste të një pjese të madhe të popullsisë ukrainase gjatë luftës pasuese botërore. Por u deshën të kalonin më shumë se pesëdhjetë vite që, në një libër të botuar nga Robert Conquest më 1986 (“Përmbledhje dhimbjesh”), bashkësia e historianëve perëndimorë të merrte seriozisht në konsideratë Holodomorin. Më pas një studjues italian, Andrea Graziosi, ka pranuar me guxim se ai libër i Conquest-it ka detyruar “një profesion ngurues të merret me një problem themelor”: atë të popullit ukrainas të uritur e të çfarosur me paramendim nga rusët.

Por nëse për bashkësinë e historianëve përgjegjësitë sovjetike n’atë krim të stërmadh prej kohësh janë të dhëna të njohura, në Rusi (me përjashtim të ndonjë pendimi të erës gorbaçoviane) nuk janë aspak të tilla. Evropa politike – për trysninë e rrymave të fuqishme të favorëshme për paqëtimin me Putinin – ka patur shumë vështirësi më parë se të njohë edhe pjesërisht natyrën, përmasat e veçanërisht përgjegjësinë e atij krimi të nëntëdhjetë viteve më parë. Evropa ka vendosur një ditë për kujtesën e Holodomorit (26 nëndor). Por meqë përkujtimi binte dyzetetetë orë më parë, cilido lexues mund të kuptojë se sa i mangët ka qënë kujdesi publik e mediatik i atij kujtimi. Për fat nuk është hutuar Papa Francesco. Befasia është Gjermania, parlamenti i së cilës do të votojë këtë javë një propozim për të njohur Holodomorin si genocid. Fakti që kançelari Olaf Scholz (ose më mirë parlamenti i tij), në gjurmën e Papa Françeskut, ka vendosur në heshtje t’i veshë Putinit paditë e shprehura të ipeshkvit Krivicki, na mëson se ndoshta ata që kanë kuptuar rëndësinë e asaj që po i ndodh popullit ukrainas, janë më shumë se sa mund të kishim përfytyruar.

“Corriere della Sera”, 27 nëndor 2022

 

blank

“Çdo shtëpi nga një emigrant”- ‘News 24’ në “Lagjen e Londrës”, qytetarët e Hasit rrëfejnë ‘tmerrin’ e gomoneve drejt Anglisë: Mos e bëftë Zoti ta provosh

Që në momentin e parë që futesh në qytet ndeshesh me një dukuri te veçantë, të rrallë në Shqipëri. Shumica e makinave në Has ishin me krah të djathtë, karakteristikë e mjeteve në Mbretërinë e Bashkuar. Qyteti regjistron në total 21.700 banorë, ndërsa 5.000 emigrantë i ka të deklaruar. Largimet e para kanë nisur pas viteve ’90, ndërsa kulmin po e arrijnë vitet e fundit. Hasan Shetën e gjetëm duke zier raki. Ai banon i vetëm me bashkëshorten në këtë shtëpi tre katëshe, ndërsa të katër djemtë i ka në Britaninë e Madhe. Dy të parët, u larguan në vitin 1998.

Hasani na tregon diçka interesante. Dikur prej profesionit si profesor matematike në shkollë dhe ish-trajner për ekipin lokal të zonës, i duhej të lëvizte në shumë qytete. Në një nga këto udhëtime, në Burrel dëgjon për herë të parë për rrugën drejt Britanisë. Ai thotë me humor, se edhe pse thuhet se hasianët futën në vend trendin e largimeve drejt Britanisë, sipas tij, kanë qenë qytetarët nga Burreli që ia kanë mësuar këtë rrugë.

“Kanë ikur për një jetë më të mirë, shkollim më të lartë. Janë dy që kanë ikur, po bëjnë 22 vite. Punojnë atje, janë martuar kanë familje. Dy të tjerët kanë shkuar më vonë, kur panë që këto punuan dhe u shkolluan, këto kanë 12 vite që kanë shkuar. Kam 4 djem atje. Atë që kanë lënë mangët me shkollim në Shqipëri e kanë plotësuar atje dhe janë shumë mirë. Nuk janë të zhgënjyer për atë që kanë bërë. Me shembullin e tyre kanë tërhequr njerëz. Unë isha me ekipin e futbollit në Burrel, atje mësova që kishte rrugë për në Angli. Ishte një vajzë atje që kishte këtë rrugë. Thonë që hasianët janë të parët që kanë shkuar, por jo, ne këtë e mësuam nga Burreli. Isha me ekipin e futbollit atje, kur mësova për herë të parë. U konsultuam me një vajzë, ajo na foli për Anglinë. Nisa bashkë me një grup djemsh edhe djalin e madh. Kështu filloi tranziti. Këto kanë shkuar dorë pas dore. Fillimisht shkonin në Vlorë dhe largoheshin me gomone. Një djalë I imi ka shkuar tre herë në Angli dhe tre herë është kthyer. Të parët që shkuan shteti anglez i ka përkrahur”, tregon Hasani.

Mjaft shqetësuese për të janë pamjet e trishta të shqiptareve që largohen me gomone, të transmetuara gjerësisht në mediat ndërkombëtare. Hasani thotë se disa të rinj zgjedhin rrugën e shkurtër për t’u pasuruar në Britani, nëpërmjet shtëpive të barit. Ai bën thirrje që të hiqet dorë nga kjo rrugë, që siç thotë, nuk është zakon shqiptarëve, që njihen ndër breza si njerëz të ndershëm e të besës.

“Gomonet janë shumë të rrezikshme. Sidomos tani që është rruga më e largët, sepse ikin nga Spanja, Portugalia dhe distance në det është tepër e largët. Na kapin ethet kur i shohim në gomone. Kjo është po ika shpëtova mirë, po nuk shpëtova jam në mëshirë të zotit. Është edhe ana tjetër, I rrit, I shkollon dhe ia çojmë Anglisë së gatshme. Ka shumë nga ata që fillojnë e joshen për një pasurim të shpejtë dhe shkojnë në rrugë jo të mira, siç po flitet shtëpia e barit, këto që shqiptari s’i ka pasur zakon asnjëherë. Njihemi për burra të besës, trima, njerëz që mbajnë fjalën, futen në disa rrugë që djemve tanë nuk u takon që të jenë të tillë”, rrëfen i moshuari.

Dy të moshuar në katin e parë, dy në katin e dytë dhe dy në katin e tretë. Kështu e përshkruan profesori i matematikës, Isuf Sefolli gjendjen në shtëpinë e tyre tre katëshe, që e ndan së bashku me vëllezërit. Djalin e vetëm së bashku me vëllezërit e nipërit i ka në Angli. Ekonomia e ulët, ishte arsyeja që ata zgjodhën të braktisnin Hasin. Çdo familje në Has ka njerëz në emigracion. Ndër faktorët kryesorë është varfëria, papunësia që ka pllakosur vendin. Familja ime përbëhet nga 6 vëllezër, tre prej tyre ndodhet në Londër. Atje janë integruar në jetën civile të Londrës, kanë gjetur vetveten dhe gjenden mirë. Unë kam djalin në Angli. Me bë një dasmë nuk mbledhim 30 % me ato që janë në Londër”, tha Sefolli.

Si një profesor matematike në gjimnazin e qytetit, ai tregon të dhëna për largimet e të rinjve. Vetëm Brenda një viti sipas profesorit, janë larguar 60 nxënës në klasat e 12. Kjo ka ndodhur kryesisht vitin e fundit, ku çmimi i lirë i udhëtimit me gomone drejt Anglisë ka joshur më shumë të rinjtë e këtij qyteti.

“Unë jam profesor në Gjimnazin Skënderbeu. Atje e shoh, vera e sapo kaluar ka ulur numrin e nxënësve. Kanë kaluar me gomone, sepse janë më të lira, këtë verë ka bum largimesh. Vetëm në vitet e 12 numërojmë 50-60 të larguar. Kjo pamje është e trishtë, e frikshme, nuk e përshkruaj dot. Duke pa mosha të reja me gomone, janë pamje të trishta. Ne ndjejmë shumë dhimbje e në mënyrë të vazhdueshme bëjmë thirrje që me marrëveshje shtetërore të bëhet punësimi sezonal, që t’i jepet fund eksodit”, shprehet profesori.

Ndonëse 16 vjeç, por me pjekurinë e një të rrituri, Armand Shema tregon gjendjen e gjimnazit ku bën mësim. Armandi rrëfen se 500 nxënës janë larguar së fundmi kryesisht drejt Britanisë, ndërsa mbi 10 klasa qëndrojnë të mbyllura. “Quhem Armand Shema, jam në vit të parë. Kanë qenë mbi 900 nxënës, tani janë 400 e ca. Të rinjtë ikin në Evropë, në Angli. Shokët e mi kanë ikur, vetëm 5 shokë kam. Ne luanim në kalçeto, po tani s’i mbledhim shokët, nuk ka”, tregon 16-vjeçari.

Armandi rrëfen historinë e vëllait të tij, që ka tentuar disa herë që të largohet me gomone drejt Anglisë, po është kapur nga forcat e huaja policore. Sipas rrëfimit të vëllait të Armandit, një rrugëtim i tillë është një tmerr i vërtetë. “Vëllai im e ka provuar, ka qenë duke u mbytur në gomone. Gomonia e fikur për 14 orë e ka shpëtuar policia e Francës. Dua të rikthehemi, që të ringjallim Shqipërinë tonë”, shprehet plot pasion i mituri. I mituri, ka një formë tejet origjinale për të përshkruar braktisjen e qytetit. “E shikon atë shpinë (tregon me duar), e kanë bërë për nam, se asnjë nuk jeton kanë ikur”, rrëfen Armando.

Gjatë një shëtitje në qytet, hasim shumë fytyra të zemëruara, disa nga papunësia dhe gjendja e vështirë që ka pllakosur vendin, e disa të tjerë, të trishtuar nga largimi i të afërmve dhe miqve.
“Largohen për një jetë më të mirë, këtu s’ka jetë. Këtu janë kushtet skandal. Mbaron shkollën e lartë s’ka punë, çmimet janë shtrenjtë, ca do të bëjnë këtu. Ikin me gomone, me sakrifica, për jetë më të mirë. Çuni im është larguar, ka qenë punë në Tiranë, s’i ka dalë paga dhe iku pa më thënë. Më merr malli për djalin. Kur shohim pamjet me gomone trishtohemi. Shqipëria është vendi më I mirë në Evropë po e ka katandis politika”, tha burri.

“Për kafshatë të gojës kanë ikur. Në Angli, Gjermani. Ata detyrohen të vendosin jetën në rrezik për një kafshatë bukë. S’është e mirë asgjë, detyrohen njerëzit të ikin për kafshatë buke. Qeveria të hapi vende pune e të rrisë pagën, qeveri kot. Fajtori është qeveria”, u shpreh qytetari.

“Ekonomi s’ka, pse mos u largu. Janë duke rreziku jetën për një jetë më të mirë. Ikin më shumë në Gjermani dhe Angli. Ikin në Angli me gomone, duke rrezikuar jetën. Kemi krejt familjarët që janë nisur edhe me familje, leje më të rinjtë. Kanë rrezikuar jetën vetëm me ik nga ky vend, është bosh qyteti. Më para ka pasur më shumë rini, 500 vetë kanë shkuar brenda këtij viti, ndoshta dhe më shumë, arsyet janë ekonomike. Fajtorë për ketë është shteti”, tregon i riu.

Rrugës u ndeshëm edhe me një emigrant të kthyer në shtëpi për festat. Ai tregon se jeton dhe punon në Greqi dhe se cilat ishin arsyet reale të largimit.
“Punoj në hoteleri turizëm në Greqi. Ika për arsye ekonomike, kam të afërm që janë larguar, të gjithë. Shumica ikin në Angli. Po shoh ndryshim, që në moshën time kemi emigruar 15 vjeç atje ka vazhduar mosha e largimeve. I them të rinjve të kujtojnë atdheun”, rrëfen emigranti.

Në një moment, u rikthyem në realitetin shqiptar, ku një i ri, rrëfeu se e ka të vështirë të përballojë jetesën. Ai thotë se merr një ndihmë ekonomike prej 10 mijë lekësh, ndërsa nuk përjashton mundësinë që edhe ai të largohet, si shumica e shokëve të tij.

“Edi Rama kryeministri i Shqipërisë rriti ushqimoret, miellin, sheqerin, vajin, ata bëjnë mirë që kanë ikur në Londër. Kanë ikur krejt, të gjithë njerëzit kanë ikur. Jam veti I 5 me një dhomë, jetojmë me 100 mijë lekë të vjetra. Me pas mundësi unë largohem, jetoj veti 5 me një dhomë, e kam të vështirë të përballoj jetesën”, thotë kryefamiljari.

Zhvendosemi 6 kilometra nga qyteti i Hasit, për në fshatin Golaj. Abdyl Kastrati është ndër të paktët banorë që kanë zgjedhur të mos braktisin fshatin. Ai merret me blegtori e bujqësi, ndërsa thotë se qeverisja aktuale, detyruan të birin të shkonte me gomone drejt Anglisë, në kushte shumë të vështira dhe të rrezikshme.
“Vllahin këtu ka mbetur vetëm mosha e tretë. Gjys për gjys. Na vjen zor se rrezikojnë jetën. Ka shkuar djali im me gomone, më ka thënë që inshallah se bëj më të hipi atje, edhe sikur me më vra. Edhe shteti ka faj, s’ka siguruar punë”, shprehet Kastrati.

Udhëtimet me taksi nga Irlanda, me kamionë, jahte e së fundmi gomone, janë disa nga mënyrat që emigrantët shqiptarë zgjedhin për të shkuar drejt Britanisë. Më shumë se 12 mijë nga 40 mijë emigrantë që kanë shkuar në Britani përgjatë këtij viti kanë qenë shqiptarë, nga 800 rreth një vit më parë. Mediat e huaja kanë ngritur një tjetër problematikë. Ato shkruajnë masivisht se Shqipërisë po i largohen të rinjtë, edhe ato profesionistë, kryesisht mjekë. Mediat kanë renditur disa arsye, mbi të gjitha, keqqeverisjen. Ato nënvizojnë se Shqipëria drejtohet nga një qeveri kleptokrate dhe se korrupsioni në vendin tonë, i ka shtrirë tentakulat në shumë sektorë. Mediat ndërkombëtare flasin edhe për aktivitetin e disa prej shqiptarëve që shkojnë në Britaninë e Madhe. Shumë prej tyre, thonë mediat, rekrutohen në botën e krimit, me mafien shqiptare sipas tyre që po fiton mjaft terren.

Veç bukurive natyrore, Hasi është i pasur me resurse nëntokësore, në veçanti, me kromin. Minierat e Golajt e Vlahenit nxirrnin në ditë qindra kg krom. Por studiues gjeologjikë vlerësojnë se nëntoka e Hasit ka përmbajtje të hekurnikelit e nikelit. Por edhe tokat pjellore, relievi e klima e pastër, mund të hapë një perspektivë të re për të rinjtë e këtij qyteti, me vullnetin e mirë nga politika dhe të gjitha instancat përkatëse, për të investuar në këtë vend të bekuar nga Zoti.

(BalkanWeb)

blank

Tirana nën thundrën e Ish-Sigurimit, historiani: Vetëm në 1945, komunistët morën 112 mln franga ari nga bizneset

Në kuadër të projektit “Tirana në sytë e Sigurimit të Shtetit”, në bashkëpunim me Autoritetin e Dosjeve, historiani Gjon Boriçi, ka mbajtur ligjëratën “Tirana nën kontrollin e pushtetit komunist, konfiskimet, internimet, rezistenca në fillimet e regjimit totalitar 1945-1949”. Boriçi vuri në dukje se goditja ndaj biznesit ishte e dhunshme.

“Pati shumë rezistencë dhe pati shumë dhunë e shumë krim. Tirana është një nga ato qytetet që ka vuajtur jashtëzakonisht shumë, dhe mënyra më e mirë e konsolidimit ishte goditja e kastës që mbante në këmbë ekonominë e këtij vendi. Komunistët shqiptarë që erdhën në pushtet, nuk kishin para. Nuk kishin asgjë. Kishin pushkët po, po jo para dhe mënyra e vetme për të nisur konsolidimin e pushtetit ishte goditja e kastës dhe tatimi që tregtarët e Tiranës vetëm për vitin 1945 kanë paguar në formën e tatimit të jashtëzakonshëm për luftën 112 469 828 franga ari.”, tha Gjon Boriçi.

Kryetarja e Autoritetit, Genta Sula, theksoi se dialogu është thelbi i kujtesës.

“Janë rreth 8200 fletë të këtyre dosjeve që e zbërthejnë mirë psikologjinë e regjimit. Kanë lënë fakte të shtrembëruara dhe për sa kohë që kemi dëshirën, vullnetin dhe synimin drejt të vërtetës i kemi kushtuar kohë dialogut për Tiranën. Tirana 50 vjet kryeqytet i kaloi në regjim gjysmën e kohës. Trekëndëshi studiues, familje dhe arkiv është i rëndësishëm që të ecim hap pas hapi, që çdo gjë që është lënë pa thënë, të thuhet”, tha Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit të Dosjeve.

Kryetari i shoqatës “Tirana”, vërejti se qyteti ka shumë për të treguar për çfarë ka ndodhur.

“Ka në fokus hedhjen dritë të një periudhe 50-vjeçare të Tiranës kryeqytet nën diktaturë duke u fokusuar e hulumtuar dosjet e Ish-Sigurimit me qëllim ngritjen e një narrative të re siç del nga shënimet e këtyre dosjeve”, pohoi Arben Tafaj.

Pos persekutimit, përndjekjes e shpronësimeve, stigma dhe keqtrajtimi i imazhit qe një tjetër fenomen që karakterizoi Tiranën në raport me pushtetin.bw

blank

NATO bashkohet kundër gjeneral Dimrit

Krahas armatimeve, po vlerësohen edhe ndihmat dimërore, si karburantet dhe furnizimet mjekësore

Ministrat e jashtëm të aleancës janë takuar për të rënë dakord për ndihmën e mëtejshme për Kievin në funksion të sezonit të ftohtë

 

VOAL- Ministrat e Jashtëm të vendeve aleate të NATO-s u takuan në Bukuresht të martën për të rënë dakord për ndihmën e mëtejshme për Ukrainën përpara dimrit. Takimi, i mbajtur pas bombardimeve të fundit ruse të infrastrukturës energjetike të Ukrainës, përsëriti nevojën për të mbështetur Kievin. Në lidhje me këtë, Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i aleancës, akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për shfrytëzimin e dimrit të avancuar si “një armë lufte”.

blank

Për momentin, ministrat e jashtëm po vlerësojnë mënyrat se si të mund të vazhdojnë të garantojnë, nga njëra anë, furnizimin me armatim për forcat e armatosura ukrainase. Nga ana tjetër, aleatët po studiojnë mënyra për të ndihmuar në mbajtjen e civilëve të sigurt, në mëshirën e ndërprerjeve të shpeshta dhe mungesave të vazhdueshme të ngrohjes.

Nga Bukureshti

Vështirësitë që prekin popullsinë civile janë në qendër të polemikave të aleatëve. Në këtë drejtim, duke i bërë jehonë kritikave tashmë të bëra nga Stoltenberg ndaj Kremlinit, ministri i Jashtëm britanik James Cleverly këmbëngul në strategjinë terroriste të orkestruar nga Moska. Sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike të Ukrainës po kryhen “për të tentuar të ngrijnë ukrainasit”, argumenton Cleverly. Nga ana tjetër, Rusia hedh poshtë akuzat, duke pranuar se po sulmoi infrastrukturat, por duke mohuar ta ketë bërë këtë qëllimisht kundër civilëve.

Në këtë kuptim, anëtarët e NATO-s po shqyrtojnë se si dhe çfarë ndihme t’i ofrojnë kauzës ukrainase. Në tavolinë shtimi i furnizimeve me municione dhe armatime, por edhe furnizime të llojeve të ndryshme. Në veçanti, po diskutohet ndihma dimërore, duke përfshirë karburantin, furnizimet mjekësore dhe pajisjet rezistente ndaj ngricave.

 

Kherson pajtohet me bombat

blank

Ndërkohë, ndërsa NATO po diskuton se çfarë të bëjë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy paralajmëron popullsinë e tij për sulme të reja të mundshme ruse, që priten këtë javë. Dëmi i pritshëm mund të jetë po aq i rëndë sa ai i pësuar javën e kaluar, i cili ka lënë miliona pa ngrohje, ujë dhe/ose energji elektrike.

Nga Moska

Takimi i NATO-s shkaktoi një përgjigje ruse, me zëvendësministrin e Jashtëm Sergei Ryabkov duke iu drejtuar drejtpërdrejt Shteteve të Bashkuara, cituar nga agjencia Tass, duke vënë në dukje rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm në rast të një përfshirjeje më të madhe të aleancës në konflikt. Prandaj, marrëdhëniet midis fronteve vazhdojnë të mbeten të ftohta dhe të shkëputura, ende të artikuluara në deklarata dhe prova fuqie. Në fakt, tregon Ryabkov, nuk po zhvillohen negociata mes Uashingtonit dhe Moskës për Ukrainën, megjithëse duket se janë shkëmbyer “sinjalet” e para të ndrojtura. rsi-eb

blank

 

blank

Kjo është Shqipëria jote Dua, Shqipëria e 2022 ku krimineli e heroi nderohen njësoj, mafiozi e funksionari vlerësohen po njëlloj! – Nga Alba Kepi

Kjo është Shqipëria jote Dua, Shqipëria e 2022 ku krimineli e heroi nderohen njësoj, mafiozi e funksionari vlerësohen po njëlloj!
E gëzofsh pashaportën shqiptare Dua e sot je në provën e parë si bashkëkombësja jonë.
Si po të duket kjo fotografi kriminale ndërsa nderohet në mes të ditës me flamuj kombëtar?
A po mundesh me përdor popullaritetin tënd për të thënë si nënshtetësja më e re shqiptare se diktatura komuniste është një krim kombëtar, e se simbolet e diktaturës janë të jashtëligjshme?!
Kjo foto është baraz me foton e Milloshevicit në mes të rrugëve të Prishtinës.
A do e kishe pranuar një gjest të tillë?!
Hidh sytë bre nga hoteli lluksoz e shih se c’bohet në kryeqytetin e atdheut tënd Shqipëri.
Nënshtetësia nuk dhurohet, as nuk falet, as nuk tundet për t’i rrëfyer botës se sa patriot je dhe nëse konsiderohesh personi më i sukseshëm i momentit.
Nënshtetësia është betim se do respektosh Kushtetutën, se do i jesh besnik cdo ligji që është shkruar në të, betim se do të mbrosh të drejtat e liritë e garantuara nëse dhunohen, betim se je gati të sakrifikohesh nëse persona të tjerë i shkelin e dhunojnë këto ligje të ekzistencës së kombit që përfaqëson.
Përballë funksionarit përfaqësues të shtetit, me formulën e betimit kushtetues, ceremonia e marrjes së nënshtetësisë është një moment emocionues për cdo emigrant shqiptar që diku në botë ka gjetur atdheun e dytë, është momenti i një arritje personale i një rrugëtimi të sukseshëm jete, që prej këtij casti të garanton të jesh një qytetar me të drejta të plota për të votuar e u përfaqësuar nga institucionet më të larta qeverisëse të këtij kombi.
Askush nga shqiptarët e ka vënë kurrë në dyshim se ti Dua Lipa je shqiptare, e fotografia me Presidentin e Republikës ishte mëse e mjaftueshme për të zytarizuar një akt adminsitrativ e demostrativ.
Por sa besueshmëri jep vetëdija e një momenti të tillë ndërsa ti këngëtarja e famshme shqiptare pozon me Kryeministrin që mban mbi gjoks simbolin e një skuadre futbolli të huaj, e në ditën e festës Kombëtare të Pavarësisë?!
E sa seriozitet jep ky betim kur ti Dua Lipa pozon si nënshtetësja më e re shqiptare në krah të një Ambasadore të huaj?!
E pra Dua sot dëshmo meritën e impenjimit tënd social që të bëri shqiptare e sa e tillë ndjehesh kur sheh të parakalojnë në mes të kryeqytetit, simbolet e vdekjes së mijëra shqiptarëve e askush nuk b’za nga ata që selfiuan me ty gjatë darkës!
E lehtë të marrësh nënshtetësinë shqiptare, mjaft të huaj e kanë marrë, madje disa dhe të akuzuar për krime, mafia e spiunllëk.
E vështirë ta meritosh të jesh qytetare shqiptare!
Vip-a kuklla shqiptare kemi plot, AAA kerkohen qytetare shqiptare!
Kjo është Shqipëria jote Dua, Shqipëria e 2022 ku krimineli e heroi nderohen njësoj, mafiozi e funksionari vlerësohen po njëlloj!
blank

Kërcënime me vdekje për gazetarët serbë që shkruan për Kosovën e Ukrainën

Iva Martinoviq

Gazeta kryesore në Serbi, Danas, është vënë nën mbrojtje të policisë, pasi është kërcënuar se do ta ketë fatin e njëjtë sikurse revista satirike franceze, Charlie Hebdo. Disa gazetarë të kësaj të fundit janë vrarë nga një sulm i ekstremistëve islamistë në vitin 2015. Kryeredaktori i Danasit thotë se kërcënimet e nacionalistëve të ekstremit të djathtë lidhen me mbulimin e luftës në Ukrainë dhe të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën. (Përgatitën: Valona Tela, Ibrahim Berisha)

blank

29 Nëntori është një ditë reflektimi për të dënuar krimin komunist – Nga BESIM NDREGJONI*

Sot mbushen 78 vjet kur kombit tonë të dashur iu instalua me forcën e armëve “guberna komuniste” e diktatorit Enver Hoxha, e cila për 45 vite u bë diktatura më e pashembullt për gjysmë shekulli që pasoi.

Ne sot i kujtojmë shoqërisë se çfarë solli kjo ditë e zezë për shqiptarët – bilancin e krimit komunist dhe këtë bilanc nuk e kishim ne në arkivat tona, por e kishin ata që morën pushtetin me 29 nëntor 1944, se ne nuk kishim arkiva, shtetin e kishin marrë kriminelët, të cilët krenoheshin me krimet e tyre ndaj nesh.

Bilanci që solli data 29 nëntor 1944 është publikuar nga shteti shqiptar, ku mbi 6000 veta u pushkatuan dhe sot atyre iu janë zhdukur kufomat.

29 nëntori 1944 erdhi me reprezalje të paimagjinueshme për popullin shqiptar.

Xhelatët komunistë vranë mbi 109 shqiptarë në Tiranë, ku në mes tyre ishin dhe 39 intelektualë të fushave të ndryshme, që i shërbenin administrimit të shtetit shqiptar. Partizanët komunistë hodhën në erë varrin e pinjolles, fisnikes së njohur tiranase, Nënës Mbretëreshë, Sadie Toptani.

Përdhunimet e varreve kishin filluar që në Berat kur u instalua qeveria e sadistit Enver Hoxha, kur partizanët komunistë nxorën eshtrat e kryeministrit Vrioni dhe  i hodhën në lumin Osum. Vazhduan me hedhjen e eshtrave të “Homerit shqiptar”, At Gjergj Fishtës në lumin Drin. Vazhduan me pushkatimin e elitës së kombit, ku etërit e Pavarësisë i pushkatuan dhe sot në 110-vjetorin e mëvetësisë së kombit tonë, shumica e këtyre korifenjve që i dhanë pavarësinë Shqipërisë, ndodhen pa një varr në tokën e tyre.

29 nëntori 1944 vrau 28 nëntorin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit.

Vazhduan me pushkatimin e deputetëve që kishin bashkëpunuar me to në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Mbi 36  mijë shqiptarë u burgosën politikisht dhe u torturuan në mënyrë çnjerëzore, vetëm se nuk deshën “gubernën” e krimit; mbi 50.000 familje u internuar që nga mosha 1 vjeç e deri në moshën 90-vjeçare.

Shkatërrimi total i shoqërisë me formimin ideologjik të “njeriut të ri” duke e zhveshur nga çdo lloj mentalitet moral e shoqëror.

Sot atdheu im, Shqipëria, mbas 78 vitesh ndodhet i ndarë, se nuk u dënua krimi i 29 nëntorit 1944.

29 nëntor 2022, mbas 78 vitesh, në pushtet është një mazhorancë politike që evokon “betejat e lavdishme” të epopesë së luftës kaçaçke nën drejtimin e “komandantit legjendar” – sajesa të fantazive të poetëve dhe historianëve të regjimit, që kurorëzohet me një shifër imagjinare të 28.000 dëshmorëve, lista e të cilëve nuk e pa kurrë dritën në historigrafinë 78-vjeçare, si për të dëshmuar faktin se ishte gjetje e bukur e imagjinatës se ndonjërit që vendosi t’i japë çdo kilometri katror të truallit shqiptar, një martir imagjinar të luftës për komunizëm.

Data 29 nëntor 1944 i bëri shqiptarët komunistë, vrasës të vëllezërve të tyre dhe spiunë të tyre.

Diktatura komuniste në Shqipëri para 78 vjetësh u lind nga gënjeshtra, u rrit me dhunë të organizuar, u mbajt me arbitraritet e çizme ushtarake dhe u mbështet nga antishqiptarët, armiq shekullorë të ekzistencës së kombit tonë.

Sot pushteti politik i udhëhequr nga Rama  e quan këtë datë “Nata e Bardhë”, e quan nderim dhe sakrificë luftën imagjinare të komunistëve.

Sigurisht, ne familjet antikomuniste, përulemi ndaj viktimave, se ata u vranë pa faj. Çdo jetë shqiptari që është flijuar me besim në mbrojtje të kombit kundra pushtuesve duhet të nderohet.

Ne çmojmë dhe nderojmë Borovën dhe përulemi me nderim ndaj jetëve të tyre… por nuk mund të nderojmë veprimet kriminale të njësiteve guerile që vrisnin ata shqiptarë që s’pranonin të ishin komunistë. Dhe ata të vrarë shqiptarë, janë trefishi i pushtuesve që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë.

Ne nderojmë ata të rinj shqiptarë që u vranë për idealet e lirisë, pavarësisht se ishin me bindje komuniste, ashtu siç nderojmë luftëtarët antifashistë, Abaz Kupin, Mujo Ulqinakun – dëshmorin e parë antifashist në Europë, Hamit Matjanin, Hysni Lepenicën, Muharrem Bajraktarin e Gani Beg Kryeziun, Safet Butkën e Llan Destan Ndregjonin, homazhe në varrezat që pushteti diktatorial i pat vendosur dhe në atë varrezë nuk ke asnjë dëshmor që është vrarë kundra fashizmit, nazizmit, vetëm se ata nuk njiheshin dëshmorë nga regjimi që ndërtoi atë parcelë.

Është ky kaos moral e shoqëror, është kjo zbrazëti shpirtëror qe lejoi kaosin politik që kemi jetuar e jetojmë për afër 32 vite tranzicion. Dhe është ky kaos politik që lejon sot daljen në skenë të partive politike në mbrojtje të terrorit, varfërisë çnjerëzore, që na i imponuan satrapi aziatik shqiptar dhe këlyshët e tij.

Me pompozitetet dhe delirin e tij, kryeministri i vendit, përpara atyre që i quan veteranë dhe janë pjesëmarrës direkt në vrasjet e kundërshtarëve të komunizmit më 29 nëntor, etiketoi “tradhtarë” mijëra shqiptarë që i vrau kjo datë.

Kryeministër, po ju a jeni tradhtar i sistemit ku jemi, që përbuzni shqiptarët që u vranë nga data 29 nëntor?!

Nënat, motrat, djemtë kërkojnë eshtrat t’iu bëjnë një varr dhe atë mundësi nuk e kanë, se ju heshtni ndaj së drejtës njerëzore të tyre.

Juve nuk ju dhimbsen as dëshmorët komunistë, po mos të jetë data 29 nëntor e Enver Hoxhës. Ashtu siç bëri grupi parlamentar socialist, që fyeu jetët e intelektualëve të Tiranës kur iu kërkua që të mbante një minutë heshtje në parlament me 17 nëntor 2022.

Pesha e luftës së djeshme para degradimit moral ku kishin rënë komunistët shqiptarë dhe sot trashëgimtarët e tyre nuk mund të njihet e të jetë pjesë e historisë kombëtare.

Cila mendje normale, cila ndërgjegje njerëzore, cila gojë që shqipton fjalën dashuri gjen sot guximin e marrëzishëm dhe shtazarak me rikujtue tmerret e së kaluarës komuniste dhe me një farë krenarie neveritëse?!

Ata që rikujtojnë datat simbol të diktaturës ata janë turpi i kombit. Sot diktatori e ka një varr dhe shtëpinë të ngritur në këmbë. Lëreni të pushojë në gjumin e vdekjes pa ringjallje!

Por, çfarë të themi për mijëra qytetarë të ekzekutuar në errësirat e burgjeve të natës pa hënë që sot akoma janë pa varr?!

Çfarë të themi për mijëra familje me shtëpi të prishura dhe sot pa një vatër familjare ku të mblidhen së bashku?!

6000 familje presin eshtrat dhe një parcelë memorizimi, të cilën kryeministri hesht dhe nuk denjon ta japë.

Pse kjo nostalgji këmbëngulëse për diktaturën dhe mosdënimin e një sistemi shkatërrimtar të dënuar nga e gjithë bota e qytetëruar?!

Para një gjendjeje kaq dëshpëruese, që pasqyron nostalgjinë për terror, varfëri e izolim nga bota e jashtme, mijëra viktima shqiptare të datës 29 nëntor përsërisin së bashku me poetin:

“Na lini, në ëmbëlsi, jetën të rijetojmë

Mos na tregoni përsëri qen që kafshojnë”

(Nellie Saks)

29 nëntori 1944 është data e vendosjes së diktaturës komuniste dhe s’ka asnjë lidhje me çlirimin e vendit. Fatkeqësisht, Shqipëria u pushtua në 1939 nga fashizmi, në 1943 nga nazizmi, dhe në 1944 nga diktatura komuniste.

Ne, çdo datë 29 nëntor do të kujtojmë krimet që solli kjo datë diktatoriale dhe do t’i kujtojmë ata e do të reflektojmë mbi krimet komuniste që mos t’i rivrasim përsëri.

Ne  përfaqësojmë paqen, pushteti politik – urrejtjen që fillon me 29 nëntor.

Paqja jonë do të fitojë mbi urrejtjen dhe urrejtësit që krenohen me krimet. Paqja mbi urrejtjen do të jetë triumfatore e lirisë dhe e dashurisë njerëzore. Përbuzja dhe heshtja u përket kriminelëve. Ne, na përket nderimi si detyrim për mos t’i rivrarë si data 29 nëntor, shqiptarët!

*Autori është Kryetar i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë

blank

Nëpër Shqipëri- BESA E SHQIPTARËVE- Nga Lovro MIHAÇEVIQ

Për të dëshmuar çfarë është besa shqiptare, po rrëfej edhe një shembull. Një të premte mbrëma, pasi muslimanët kanë dalë nga xhamia, kanë bërë hoka ndërmjet vetes në oborr të xhamisë, mirëpo loja ka përfunduar me gjak. Dy prej tyre në lojë e sipër, janë fjalosur, pasi janë ngatërruar, kanë nxjerrë revolet nga brezi, njëri prej tyre ka vrarë shokun dhe duke përshkuar nëpër popull është bërë tym.
Me të shpejtë ka rënë muzgu e ai duke ikur ka parë një bullë (grua me veshje myslimane) në derë të avllisë, i është ofruar dhe i ka kërkuar besë, ta pranojë at natë në konak pasi ka rënë në gjak. Bulla i ka dhënë besë dhe në besë e ka futur në shtëpi duke mos e ditur se ke po e pranon në shtëpi të vet dhe kujt po i jep besë, e as vrasësi nuk e ka ditur, as në mend nuk i ka vajtur prej kujt ka marrë besë, kujt i ka rënë në dorë dhe në shtëpinë e kujt është strehuar.
Babai dhe dy vëllezërit e të vrarit kanë ndjekur e kërkuar vrasësin, por nuk e kanë arritur, ashtu të lodhur e të kastiguar janë kthyer në shtëpi. Nëna u ka bërë gati darkën dhe u ka shtruar sofrën, pasi nuk e ka parë djalin e tretë, i ka pyetur se ku është ai? Ata i treguan se çfarë ka ndodhur, si është vrarë para xhamisë dhe si e kanë ndjekur vrasësin, por ai u ka shpëtuar duke ikur nëpër popull e u është fshehur diku në terr. Nëna kur ka dëgjuar çfarë i kanë treguar, i ka rënë hija e vdekjes në fytyrë e i është ngrirë gjaku në denj, por sekretin e vet nuk e ka zbuluar.
Vrasësi i birit të saj ka qenë në duart e saja, mirëpo ajo e ka marrë në besë e besa është e shenjtë, nuk guxohet të shkelet. Pasi kanë hangër darkë, kanë marrë meshkujt lopatat dhe kanë shkuar të varrosin në varreza para xhamisë birin e vrarë. Tani nëna ka shfrytëzuar momentin, e ka nxjerrë djaloshin përjashta, i ka dhênë për rrugë një copë bukë e një dorë djathë dhe e ka përcjellur jashta avllisë duke i thënë: “Na këtë bukë, le ta kesh për rrugë, të kam marrë në besë dhe besën e kam mbajtur, shko tash, shporru qofsh mallkuar, se ma vrave loçkën e zemrës”. (Përktheu Anton Filipaj)
Hejza
blank

PËR FLAMURIN KOMBËTAR – Nga Bledi Filipi

Flamuri Kombëtar është i shqenjtë për çdo shqiptar kudo që ndodhet. Format dhe përmasat e Tij janë paracaktuar në Ligjin 8926/2002 të mbështetur në nenet 14, 78, 81 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë:
Ligjin 8926/2002 me disa ndryshime në dt. 8 gusht 2022, PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 8926, DATË 22.7.2002, “PËR FORMËN DHEPËRMASAT E FLAMURIT KOMBËTAR, PËRMBAJTJEN E HIMNIT KOMBËTAR,FORMËN DHE PËRMASAT E STEMËS SË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË DHE MËNYRËN E PËRDORIMIT TË TYRE”
Neni 3
Format dhe përmasat e flamurit kombëtar
1. Flamuri kombëtar paraqet një fushe me ngjyre te kuqe gjaku, me një shqiponje te zezë dykrenore në mes, me krahë të hapur anash. Secili nga krahët e shqiponjës ka nëntë pendë, ndërsa bishti ka shtate pende.
2. Përmasat e flamurit kombëtar përcaktohen ne raportin 1 me 1,4 njësi. 3. Pamja e flamurit kombëtar, fortësia e ngjyrave te tij dhe raportet janë ato te përcaktuara në shtojcën nr .1, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjese përbërëse e tij.
Për Flamurin Kombëtar
Flamuri i Shqipërisë është flamuri kombëtar shqiptar, një flamur me fushë të kuqe dhe një shqiponjë dykrenare të zezë në mes. Flamuri shqiptar e ka prejardhjen nga një vulë e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili i udhëhoqi shqiptarët në një kryengritje të përbashkët në shekullin XV kundër Perandorisë Osmane duke i sjellë trojeve shqiptare pavarësinë për një kohë të shkurtër (1443-1478). Shqiponja ishte pjesë e emblemës së familjes Kastrioti e cila e ka zanafillën në perandorinë bizantine.
Mendime mbi origjinën
Shqiponja ka qenë dikur, në periudhën e Romës antike, simbol i këtij shteti. Edhe sot të dy klubet e njohura të futbollit në Romë si Roma dhe Lacio mbajnë përkatësisht simbole antike, nga ku i pari kokën e ulkonjës së kapitalit dhe i dyti shqiponjën me krahë të hapur. Si simbol i Romës, shqiponja u përdor edhe nga strategët e saj si Kaj Mari, Luç Serg Katilina, Pompeu i madh, Çezari, etj. Ky i fundit përdorte si simbol të tij shqiponjën e artë të vendosur në një fushë të kuqe. Po kështu veproi me stemën e Çezarit edhe i nipi Oktavian Augusti, i cili u pasua më vonë edhe nga Kostandini i Madh. Me ndarjen e Perandorisë Romake në vitin 395 shqiponja u transformua me dy koka, duke simbolizuar njëra Perandorinë e Perëndimit me qendër Romën dhe tjetra Perandorinë e Lindjes me qendër Kostandinopojën (Bizantin). Ndërkohë Perëndimi u pushtua nga barbarët në vitin 476 duke humbur traditat më të vyera të antikitetit, e bashkë me to edhe simbolin e tij. Ndërsa Lindja (Bizanti) vazhdoi të jetojë edhe për dhjetë shekuj të tjerë duke ruajtur këtë simbol që vinte prej “qytetit të përjetshëm” (Romës). (Histori e Popullit Shqiptar. Tiranë 2002, fq.294)
Formën dhe ngjyrat e tij, flamuri bizantin i mori gjatë sundimit të Justinianit (527-562) që kishte origjinë ilire. Dukej se atij i pëlqente që dy kokat e shqiponjës ti identifikonte me vetveten dhe të shoqen, Perandoreshën Teodora. Më vonë me kalimin e kohës me anë të martesave dhe dhënies së privilegjeve, Bizanti ia dhuroi simbolin perandorak fisnikërisë së kombeve, që ishin integruar në këtë Perandori shumëkombëshe si princat rumunë, bullgarë, gjermanë, rusë, serbë, grekë, shqiptarë, etj. Kjo eshtë arsyeja që këtë simbol sot e përdorin një dyzinë popujsh e shtetesh, të cilat dikur kanë patur kontakte të ngushta ekonomike e kulturore me Bizantin. Ndërkohë që ai shfaqet si simbol i Kishës Ortodokse, pasardhëse e drejtpërdrejtë Perandorisë së Lindjes. Flamuri origjinal bizantin ruhet sot në një nga manastiret e malit të Shenjtë (Athos) në Greqi, në ngjyrat e tij fillestare me shqiponjën e zezë me dy koka, të vendosur në një fushë të artë.(Historia e Popullit Shqiptar, fq.433)
Deri sot shumica e shqiptarëve mendojnë se flamuri i tyre është flamuri i Skënderbeut, pa e ditur origjinën e tij. Edhe sot ne nuk e dimë me saktësi se kur Skënderbeu përdori si simbol të shtetit të tij shqiponjën dykrenore. Njihet fakti se këtë simbol ai e huazoi nga Muzakajt, duke e zëvendësuar stemën që kishte trashëguar nga i ati Gjoni. Ky i fundit përdorte si stemë figurën e një princi (burri) me flokë të gjatë dhe togë (Gjin Varfi, Heraldika shqiptare, Tirane 2000, fq. 27).
Shqiponjën dykrenore e kanë përdorur si simbol të tillë edhe Arianitët, Cernojeviçët e Zetës, Lek Dukagjini, etj. Për herë të parë në histori emblema e Gjergj Kastriotit me shqiponjën dykrenore shfaqet në vitin 1451. Ajo paraqitet në një libër uratash që ju dhurua Skënderbeut nga Alfonsi i V, Mbreti i Napolit, me rastin e nënshkrimit të traktatit të Gaetës më 26 Mars 1451. Ai ju dorëzua ambasadorëve të Skënderbeut që nënshkruan këtë traktat, Peshkopit Stefan të Krujës dhe at Nikola Bergucit nga Protonoteri i Alfonsit Arnaldo Fonoleda. Simboli përfaqësues i shtetit të Skënderbeut del përsëri në një katalog venecian stemash në vitin 1463, kur Gjon Kastrioti i biri i heroit mori titullin “Fisnik i Republikës”. (Akademia e Shkencës, Historia e Popullit Shqiptar, fq. 434). Po kështu ky simbol ruhet i gdhendur në varrin monumental të Kostandin Kastriotit, ndërtuar në vitin 1500 nga gjyshja e tij Donika, në kishën e Shën Marisë së Ëngjëjve në Napoli (Itali).
Njëlloj si në flamur Skënderbeu e përdori shqiponjën dykrenore me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa sipër, edhe në vulën e tij të madhe, të cilën e përdorte në dokumentat zyrtare. Ndërkohë kur Kastriotët u larguan në Itali pas vdekjes së Skënderbeut, ata jo vetëm e ruajtën simbolin e tyre por e përdorën gjerësisht atë si stemë të heraldikës së tyre.
blank

Përtej shtetit-komb, nevoja për një hapësirë-komb shqiptare – Nga Akil Kraja

A mund të quhet shqiptar një shtetas austriak i lindur në Shqipëri dhe që flet rrjedhshëm shqipen, por që nuk voton në vendlindje sepse Austria nuk e lejon shtetësinë e dyfishtë? A mund të quhet shqiptar një fëmijë i lindur në Angli, nga prindër kosovarë, i cili nuk e ka vizituar kurrë Shqipërinë dhe pse ai është rritur me flamurin kuq e zi në dhomë? A janë ata diasporë shqiptare, dhe nëse po, a kanë të drejtën e votës?

Janë me dhjetëra kombinimet që mund t’i aplikojmë për diasporën tonë në Greqi, Itali, Angli e kudo në botë. Një diasporë e shumëfishtë, shqiptare dhe kosovare, por dhe maqedonase e malazeze, evropiane e amerikane. Një diasporë e re por dhe e vjetër, tanimë në brezin e tretë. Emigrantët e viteve 90 po bëhen gjyshër dhe janë me mijëra fëmijët ‘shqiptarë’ të cilët të integruar plotësisht në vendlindjen e tyre të re, e shohin shqiptarinë si një shtesë të identitetit të tyre të ri. Kemi sot të rinj nga prindër kosovarë, lindur në gjermani, që janë shqiptarë, por dhe mijëra shqiptarë, me shtetësi kosovare të lindur në Angli.

Në këtë 110 vjetor të pavarësisë, ishin të rralla shkrimet projektuese të asaj çka ‘shqiptaria’ mund të përfaqësojë në të ardhmen. Të gjithë flasin për të shkuarën e largët dhe pothuajse askush nuk guxon të flasë për të ardhmen e afërt. E vlefshme kjo dhe për fjalimet e seancës parlamentare të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Dhe aty, përpos shumë ngjyrimesh nostalgjiko-historike, kishte shumë pak vizion, ëndrra e projekte për atë se çfarë mund të jetë shqiptaria e së ardhmes.

Realitetet e sotme kanë nevojë ulëritëse për një vizion të qëndrueshëm, konkret dhe afat-gjatë. Janë qindra sipërmarrësit shqiptarë që bëjnë biznes në Kosovë, ashtu siç janë po kaq ata nga Kosova në Shqipëri. E njëjta gjë për mijëra shqiptarë të diasporës që investojnë në Shqipëri e Kosovë. Në media, në art, në sektorin bujqësor apo financiar, në turizëm e ndërtim, sot Ballkani, nga Kroacia e deri në Greqi, dëshmon një prezencë aktive shqiptare e cila është njëherazi ekonomike, kulturore dhe politike.

Kjo situatë e re kërkon një ridimensionim të konceptit të shtetit-komb. Ne nuk kemi më një shtet, por dy, duke e anashkaluar faktin që Kosova është në fakt një shtet-multietnik. Por dhe nën petkun e dy shtet-kombeve shqiptare, sërish përgjigja është e paplotë pasi kjo përjashton shqiptarët e Malit të Zi, të Maqedonisë, të Preshevës, të Medvegjës, e Bujanocit. Por dhe ata të Austrisë e Holandës, që nuk e lejojnë dy-shtetësinë, ashtu si Gjermania deri para pak kohësh. Në fakt, shteti-komb ashtu siç e njohim sot, përjashton gjithashtu dhe vetë shqiptarët dhe kosovarët. Për shkak të tij, ata nuk mund të shprehen mbi atë që mund të përfitojnë nga të qenit shqiptarë pasi si njëri, si tjetri, votën e tyre e kanë gjeografikisht e administrativisht të kufizuar, ndërkohë që shqiptaria nuk është e tillë.

A mos ka ardhur vallë koha për diçka që shkon përtej kufizimeve të shtetit-komb duke propozuar krijimin e një hapësire-komb shqiptare? Një hapësirë, e cila do të përfaqësonte mundësinë për çdo shqiptar për të përfituar një shërbim kombëtar kudo që ai ndodhet.

Po, secili prej rasteve që përmendëm në krye të këtij shkrimi është shqiptar. Kjo vlen për të gjithë bashkëkombësit tanë në rajon, por dhe ata në Itali, Angli, Kanada e SHBA. Dhe ata që mund të mos kenë shtetësinë shqiptare apo kosovare, si në Holandë. Është shqiptare dhe skiatorja me origjinë italiane e cila garon me flamurin tonë në kampionatin botëror të skive. Është shqiptar dhe kampioni i mundjes me origjinë çeçene që na dhuroi medaljen e artë. Janë 744.000 shqiptarë që janë larguar vetëm gjatë qeverisjes Rama, situata do të komplikohet dhe më shumë në të ardhmen.

Hapësira komb arrin të trajtojë njëherazi të tre këto realitete. Të parin tejet kompleks, të pozicionuar në Ballkan. Realitetin e dytë, atë ndërkombëtar, i përcaktuar nga një diasporë gjithnjë e më globale dhe jo vetëm europiane. Dhe së treti, një realitet kur me gjasa Shqipëria e Kosova do të kthehen dhe ata në vende pritës emigracioni. Këto realitete na detyrojnë të përcaktojmë qenien “shqiptar” si një identitet gjithëpërfshirës, tolerant e bashkëjetues. Sipas kësaj qasjeje, përtej shtetësisë, ajo çfarë do ta bënte dikë shqiptar do të ishte ekzistenca e një lidhjeje gjaku, familjare e kulturore me kombin shqiptar. Kjo do të mund të përkonte me krijimin e një “karte shqiptare”, si një hap i parë në krijimin material të një hapësire komb.

Së dyti, zotërimi i një “karte shqiptare” – nuk flasim për një dokument shtetësie, por për një dokument kombësie – do të ishte mundësia për çdo posedues të kishte akses në çdo institucion shkollimi në gjuhën shqipe kudo në botë, të financuar nga autoritetet lëshuese të kartës. Do të ishte mundësia që të punoje në Shqipëri e Kosovë pa pasur nevojë për ‘leje qëndrimi’. Ajo mund të mundësonte dhe avantazhe të tjera administrative që nuk do të binin në konflikt me shtetësinë Shqiptare apo Kosovare, përfshi pse jo dhe avantazhe fiskale. “Karta shqiptare” mund të sillte dhe lehtësira të tjera për një komb sipërmarrësish që kërkon të jetë një aktor i tregtisë rajonale e globale. Nëpërmjet kartës, çdo shqiptar do të përfitonte një shërbim kombëtar kudo që ai ndodhet pa vendosur në rrezik “shtetësinë” e brishtë shqiptare apo kosovare dhe detyrimet që i imponohen nga faktori ndërkombëtar e evropian.

Së treti, personalisht besoj që një individ i cili nuk paguan taksa në Shqipëri apo Kosovë, nuk mund të votojë për zgjedhjet parlamentare apo vendore të njërit e tjetrit shtet. Por nga ana tjetër mendoj që një bashkëkombas mund të votonte krejt natyrshëm për zgjedhjet e një autoriteti lëshues të “kartës shqiptare”. Ky mund të ishte një organ i zgjedhur demokratikisht nga zotëruesit e kartës, për shembull në formën e një agjencie ose të një senati mbarë-kombëtar. Këto institucione do të mbikëqyrnin të gjitha çështjet e hapësirës komb shqiptare në fushën e kulturës, arsimit, kërkimit shkencor e të biznesit etj. Pse jo të kishin dhe të drejtën për t’u shprehur mbi vendimmarrjet madhore vendore. Ato mund të shoqëroheshin dhe nga një Bankë zhvillimore kombëtare e cila do të financonte projekte infrastrukturore, edukative, sociale e sipërmarrëse në çdo komunitet shqiptar, duke lëshuar dhe bono kombëtare nga Presheva deri në Nju Jork. E pamundur? Le të kujtojmë se borxhi i parë publik shqiptar është financuar nga diaspora amerikane në vitet fill pas pavarësisë, dhe se marketingun ndaj lëshimit të këtyre bonove e ka bërë Fan Noli në poezinë ‘Jepni për Nënën’.

Në përmbyllje, sipas këtij skenari, hapësira-komb do të ishte një koncept perëndimor, modern, tolerant e gjithëpërfshirës. Ajo nuk do të merrej me ndryshimin e kufijve por me afrimin e njerëzve. Ajo do të ishte një nismë e çdo shteti, dhe jo vetëm e disave, ballkanike por dhe globale, njëherazi Evropiane dhe Atlantike. Ajo nuk do të merrej me kërkesa ksenofobe por me nisma përbashkuese në respekt të bashkëjetesës me çdokënd, çdo minoriteti dhe çdo religjion. Hapësira komb nuk do të ishte pushtuese dhe anihiluese, por integruese dhe liridashëse. Ajo nuk do të krijonte konflikte e prapambetje, por do të sillte zhvillim gjuhësor, mbrojtje të traditës, investime kundra braktisjes e pro-familjes. A nuk bëjnë pikërisht këtë Këshillat Kulturor Britanik? Aleancat Franceze? Qendrat Gete? Institutet Kulturore Italiane? Bankat dhe agjencitë zhvillimore evropiane dhe të vendeve të zhvilluara? Senatet dhe të zgjedhurit nga diasporat e tyre? A nuk ka trajta të ngjashme ‘Parlamenti Europian’ i votuar nga qytetarë evropiane me 27 shtetësi të ndryshme? Hapësira komb, do të ishte një lloj ‘komonuelth-i’ shqiptar sepse ne kemi shqiptarë evropianë por dhe anglez, kanadez, amerikanë e australianë. Shembujt janë aty, le të mësojmë nga sukseset dhe gabimet e kombeve të tjera.

Ky shkrim modest dhe deri diku prozaik, është në fakt një ngacmim i qëllimtë për të nxitur lexuesit, analistët dhe këdo që ka për zemër interesin kombëtar të shprehen sa më shumë në mënyrë pro-aktive në këto kohë sfidash për Shqipërinë e Kosovën. Dështimi fatlum i “Open Balkans” dhe rreziqet që i kanosen Shqipërisë e Kosovës nga influenca të huaja, duhet të na nxisin të diskutojmë lirshëm mbi një vizion të të ardhmes sonë të përbashkët. Ne duhet të bëjmë gjithçka jo vetëm të largojmë aventurierët antishqiptarë si Edi Rama, por dhe të ndërtojmë një vizion zëvendësues koherent, realist dhe ambicioz të asaj çka synojmë për të ardhmen tonë kombëtare. Përballë rreziqeve reale për sigurinë rajonale, faktori shqiptar duhet të jetë në gjendje t’i vendosë fre ideve utopike e luftë-nxitëse. Po kështu, shpopullimi tragjik i viteve të fundit nuk mund të mposhtet vetëm me retorika patriotike. Le të përfitojmë nga hapësira që po krijon rithemelimi i të djathtës shqiptare për t’i dhënë formë asaj që duhet të jetë boshti i saj i ardhshëm ideologjik kombëtar. Rezistenca ndaj ‘Open Balkans’, lufta për dinjitet personal e kombëtar, ashtu si dhe suksesi i primareve, dëshmojnë qartazi që vota e lirë, fjala dhe ambicia e lirë, e secilit prej nesh, janë jetike në garantimin e një pluralizmi që po ngushtohet gjithnjë e më shumë në një Shqipëri që po ç’bëhet dita ditës, e bashkë më të, dhe kombi shqiptar.

blank

Vija e kuqe: Zbulohen bisedimet sekrete midis Joe Biden dhe Xi Jinping – Nga Owen Matthews, SPECTATOR

Që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, Kina ka luajtur një rol vendimtar – ndonëse duke ruajtur një profil të ulët publik – në vendimmarrjen strategjike në Washington e Moskë bashkë. Siç e kam përmendur fillimisht në librin tim të ri “Overreach” (Ekzagjerimi), ishte një ndërhyrje pas kuintave e miratuar nga Pekini që bëri SHBA të arrinte marrëveshjen që polakët të pajisnin forcat ajrore ukrainase me avionët sovjetikë MiG-29, në mars. Dhe që nga shtatori, një vorbull diplomacie personale e ministrit të jashtëm kines Wang Yi me NATO-n dhe SHBA çoi në një moment të rrallë akordi publik mbi Rusinë, kur Xi Jinping tha se bota “duhet të parandalojë një krizë bërthamore në kontinentin euroaziatik”, në një takim me Joe Biden në samitin e G20 në Bali.

Gjatë gjithë luftës, pozicioni i vërtetë i Kinës në raport me konfliktin Rusi-Ukrainë ka qenë i vështirë për t’u përcaktuar me saktësi, sidomos edhe sepse Pekini u ka thënë secilës prej palëve atë që ata donin të dëgjonin. Në mars, Wang u duk se po fajësonte SHBA për “rritje tensioni” dhe “mbjellje mosmarrëveshjes” me Rusinë. Muajin e kaluar, ai i tha homologut rus Sergei Lavrov, se “Kina do ta mbështesë fort palën ruse, nën udhëheqjen e Presidentit Putin, për bashkimin dhe udhëheqjen e popullit rus”, sipas televizionit shtetëror CCTV. Wang premtoi edhe se “Kina është e gatshme të thellojë kontaktet me rusët në çdo nivel”. Megjithatë, në shtator, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Wang i tha Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Kina “qëndron mendjehapur për dialog e shkëmbime me NATO-n dhe është e gatshme për promovim të përbashkët të zhvillimit të shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe… në frymën e ndershmërisë dhe respektit reciprok”.

Atëherë, në anën e kujt është në të vërtetë Pekini? E vërteta është që Kina ka mbështetur vazhdimisht vetëm njërën anë – të sajën. Por iluzioni i përkrahjes nga Kina ishte një nga keqllogaritjet e shumta që e çuan Vladimir Putin në rrugën e luftës. Në një samit në Pekin më 4 shkurt të këtij viti, Xi dhe Putin deklaruan “miqësi pa kufij” me asnjë “zonë të ndaluar” bashkëpunimi. Të dy liderët e deklaruan nivelin e ri të partneritetit strategjik ruso-kinez si superior karshi aleancave të Luftës së Ftohtë. Pekini ishte i vetëdijshëm për planet e Rusisë për një operacion ushtarak, sipas një burimi me lidhje të ngushta të vjetra në udhëheqjen e lartë politike e ushtarake të Kinës. Por rusët e paraqitën operacionin e ardhshëm ushtarak si një “operacion i limituar për rimarrjen e një province ruse të humbur dhe për ribashkimin e Rusisë brenda kufijve historikë”. Kjo histori i përshtatej asaj të vetë Kinës me Tajvanin – ndonëse ishte bërë e qartë se operacioni rus nuk duhej të përplasej me Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, të cilat përfunduan më 20 shkurt, katër ditë para invazionit.

Më e rëndësishmja, në një shtojcë konfidenciale të “miqësisë pa kufij” gjendje një garanci reciproke sigurie që Rusia e kishte kërkuar nga Kina për dekada por që nuk kishte mundur ta arrinte, bën të ditur burimi. Ashtu si Neni 5 i NATO-s – që thotë se sulmi mbi një vend anëtar është sulm kundër të gjithëve – Pekini dhe Moska i premtuan njëri-tjetrit vajtjen në ndihmë në rast invazioni të huaj në territorin e tyre dhe nëse përmbusheshin kushte të veçanta në lidhje me një invazion të tillë. Ky kusht jashtëzakonisht i zgjuar, i vendosur me këmbënguljen e kinezëve, do të përjashtonte efektivisht territoret e aneksuara kohët e fundit me luftë, pra e çlironte Pekinin nga çdo angazhim për t’iu përgjigjur sulmeve në territoret e aneksuara në Ukrainë.

Shkalla e operacionit ushtarak rus – në veçanti sulmi rrufe i mbajtur sekret kundër Kievit, për të cilin edhe Lavrov nuk kishte dijeni deri më 21 shkurt – e befasoi Pekinin. Ndonëse kinezët zyrtarisht e përkrahën Putinin diplomatikisht, duke fajësuar NATO-n për provokim konflikti, pati shqetësime të mëdha (e plotësisht të bazuara) se Putin e kishte ekzagjeruar dhe do të provokonte bashkimin e Perëndimit në një front, gjë që një sulm i limituar vetëm në Donbas do ta kishte shmangur. Kërcënimi i Putinit me armë bërthamore më 27 shkurt e alarmoi botën, përfshirë Kinën. Prioritet kyç për Pekinin ishte që konfrontimi NATO-Rusi të shmangte përshkallëzimin bërthamor dhe të ndihmonte në arritjen e armëpushimit, tha burimi, i cili ka kontakte personale të rregullta me liderët e Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Tani Putin kishte luajtur – pakujdesshëm në sytë e kinezëve – kartën e tij më të rrezikshme që në fillim të konfliktit.

Kështu që, kur, disa ditë më pas, një përshkallëzim i mëtejshëm kërcënoi në formën e një oferte nga qeveria polake për t’i dhënë Ukrainës të gjithë avionët luftarakë të periudhës sovjetike MiG-29, kinezët u shqetësuan. Në të vërtetë, kishte pak gjasa që MiG-ët polakë të bënin shumë diferencë në fushën e betejës. 26 deri në 33 MiG-29 të Polonisë ishin prodhuar në fillim të viteve ‘80 për Forcat Ajrore të Gjermanisë Lindore dhe i ishin shitur Varshavës për shumën simbolike 1 euro secili në vitin 2003. Rumania, e cila zotëronte 20 avionë të ngjashëm MiG-29, i kishte dekomisionuar shumë vite më parë. Megjithatë, një vend i NATO-s që i siguronte Kievit avionë luftarakë të çfarëdo lloji, përfaqësonte një hap të rëndësishëm simbolik, nëse jo domosdoshmërisht të rëndësishëm operacional drejt përfshirjes së drejtpërdrejtë të NATO-s në konflikt. Fillimisht, Washingtoni ishte pozitiv. Por një ditë më vonë, më 8 mars, Pentagoni ndryshoi befas pozicionin e tij, duke e shpallur propozimin e Polonisë “të paqëndrueshëm”.

Çfarë ia ndryshoi mendjen Uashingtonit? Pjesërisht, ishte një iniciativë urgjente dhe konfidenciale në prapaskenë, e udhëhequr nga Instituti për Studime Strategjike Lindje Perëndim, me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, që përfshin ish-udhëheqës evropianë dhe zyrtarë të lartë, dhe në fund e miratuar nga udhëheqja kineze. Që nga deklarata e 27 shkurtit e Putinit mbi gatishmërinë bërthamore, edhe UÇP kishte kontaktuar përmes kanaleve ushtarake-ushtarake (në kontrast me ato diplomatike apo politike) gjeneralë të rusë me të cilët kishin krijuar kontakte personale gjatë viteve të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake dhe bisedimeve për prokurim ushtarak. Synimi i Pekinit ishte të sigurohej që edhe nëse do të kishte një vendim politik për të përdorur armët bërthamore, ushtria ruse do të këmbëngulte që t’i përmbahej doktrinës së saj ushtarake bërthamore për t’i përdorur ato vetëm nëse provokohej nga sulmet në tokën ruse. Nëpërmjet këtyre kontakteve jozyrtare, Washingtoni dhe UÇP ranë dakord – në mënyrë të pazakontë, duke pasur parasysh një përkeqësim të marrëdhënieve gjatë presidencës së Donald Trump – se nëse SHBA do të ndalonte marrëveshjen e MiG, gjeneralët e Pekinit do të bënin çmos për të zbutur kërcënimin bërthamor të Putinit në një nivel operacional. “Funksionoi”, thotë burimi kinez. “[SHBA] vendosi që dhënia e avionëve ishte një hap shumë i gjatë”.

Ndonëse kjo iniciativë në prapaskenë e fillimit të marsit nuk është raportuar më parë, fakti që SHBA mbajti qëndrim të kujdesshëm në furnizimin e Ukrainës me armë strategjikë gjatë luftës konfirmon se Washingtoni mbeti plotësisht i vetëdijshëm për shqetësimet e Kinës, të cilat i kishin edhe vendet më të mëdha në Bashkimin Evropian. Pavarësisht një përshkallëzimi dramatik në furnizime me pará dhe bazë ushtarake – përfshirë artilerinë 155mm dhe HIMARS – NATO është frenuar për furnizimin me avionë sulmi, helikopterë, tanke të standardit NATO, raketa beteje me rreze të gjatë dhe sisteme raketash cruise.

Në të njëjtën kohë, mbështetja kineze për Moskën mbeti po aq e kujdesshme. Pekini ofroi mbështetje diplomatike dhe informative – por përjashtoi bashkëpunimin e rëndësishëm ushtarak, duke i detyruar rusët të blenin dronë nga Irani, të “kanibalizonin” pajisjet elektronike shtëpiake për çipa kompjuterikë dhe të përpiqeshin të riblenin helikopterë, raketa dhe sisteme të mbrojtjes raketore nga klientët e tyre ushtarakë në gjithë vendet në zhvillim. Kërcënimi i sanksioneve nga SHBA mbi operacionet e tyre globale bëri që shumë banka kryesore kineze, si ICBC, Banka e Re për Zhvillim, dhe Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë të tërhiqnin kreditë dhe financimet nga Rusia. Edhe gjigantë kinezë të energjisë si Sinochem pezulluan të gjitha investimet dhe ndërmarrjet e përbashkëta ruse. Në gusht, UnionPay – ekuivalenti kinez i Visa dhe Mastercard –ndërpreu bashkëpunimin me bankat ruse, duke përmendur sanksionet. Motivimi material i korporatave të Pekinit për t’u tërhequr nga Rusia ishte i qartë: para luftës Kina bëri 100 miliardë dollarë tregti me Rusinë (duke u rritur me 30 miliardë dollarë të parashikuar këtë vit falë rritjes së importeve të naftës) por mbi 1.5 trilion dollarë me SHBA dhe BE.

Me dënimin e përbashkët që Biden e Xi i bënë kërcënimit me armë bërthamore në Bali në fillim të këtij muaji, mirëkuptimi i marsit tashmë është kthyer në politikë publike. Falë diplomacisë prej ndërmjetësi të Wangut, NATO dhe Kina janë rreshtuar në mënyrë efektive për të mos përshkallëzuar konfliktin Ukrainë-Rusi, sipas burimit kinez. Gjatë një sërë takimesh me udhëheqjen e NATO-s që nga fillimi i shtatorit, Wang u zotua të përdorte levën e konsiderueshme të Kinës në Moskë për të bindur Putinin nga përdorimi i armëve bërthamore, ndërsa në këmbim NATO ka pohuar se nuk do të dërgonte armë strategjike në Ukrainë.

Në samitin e Balit, Xi (i mbështetur nga kryeministri indian Narendra Modi) bëri thirrje publike për “rikthim në diplomaci dhe gjetjen urgjentisht të një zgjidhjeje paqësore”. Ky është një pozicion që ende nuk është pranuar zyrtarisht nga NATO, e cila këmbëngul se ukrainasit do të vendosin se kur do të vijnë në tryezën e bisedimeve. Por shumë zëra të lartë në NATO – për shembull Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të SHBA Mark Milley dhe Presidenti francez Emmanuel Macron – kanë sugjeruar në mënyrë të pavarur që Kievi duhet të përgatitet për bisedimet e paqes. Dhe garancitë e sigurisë së Kinës për kufijtë e Rusisë para pushtimit, të bëra në shkurt, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një platforme për Kremlinin, si një kundërvënie ndaj garancive të mundshme të sigurisë të NATO-s për Ukrainën.

Çmimi i Kinës për misionin e saj paqeruajtës? Pekini shpreson të përmirësojë marrëdhëniet me NATO-n dhe Evropën e t’i japë fund një lufte të kotë që aleati i tij Putin filloi kaq marrëzisht. Në Ukrainë, Kina është, e thënë me fjalët e burimit, “duke u pozicionuar si shpresa e fundit për paqe në këtë botë”. Ukrainasit, të cilëve me shumë gjasa do t’u kërkohet të sakrifikojnë territor për paqen, mund të mos jenë dakord. syri.net


Send this to a friend