Një ndër argumentet kryesore që është përdorur kundër dialogut teknik të deritanishëm me Serbinë dhe që po përdoret edhe sot kundër fazës finale të dialogut, është pretendimi se ato nuk janë mjaftueshëm transparente për publikun. Është e vërtetë që transparenca është një ndër shtyllat kryesore të demokracisë dhe se mbajtja e publikut në errësirë delegjitimon proceset duke i bërë ato që të duken elitiste, aristokratike apo oligarkiste. Mirëpo po ashtu dihet se ka sektorë që prekin interesat shtetëror për të cilat sekreti është i domosdoshëm si siguria, inteligjenca, rendi apo edhe diplomacia. Kardinali Risheli, kryeministri i famshëm i Francës dikur thoshte se “Sekreti është shpirti i punëve të shtetit”. Mungesa e informimit të publikut mbi diskutimet dhe prapaskenat e negociatave në Bruksel, jo vetëm që nuk është ndonjë shkelje, por është normë apo praktikë tipike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Prandaj, për hir të së vërtetës, duhet thënë që këto pretendime për transparencë negociatash ose burojnë nga një injorancë e thellë për mënyrën se si bëhen negociatat nëpër botë ose janë thjeshtë një maskë për të kamufluar kundërshtimin që ekziston ndaj dialogut në përgjithësi, e Thaçit, si kryenegociator, në veçanti.
Pikësëpari, duhet bërë një dallim, midis marrëveshjeve sekrete dhe negociatave sekrete. Sot ka një konsensus ndërkombëtar kundër traktateve sekrete mes shteteve. Ato ishin shumë të shpeshta në shekullin e 19-të, por janë shumë të rralla sot. Me ardhjen në pushtet të bolshevikëve, pas Revolucionit të Tetorit në nëntor 1917, Leon Trocki i bëri publike traktatet sekrete që cari kishte bërë me fuqitë e mëdha të aleancës së Antantës. Duke theksuar këtu Marrëveshjen e Kostandinopojës, e cila parashikonte ndarjen e Perandorisë Osmane mes Rusisë e vendeve të tjera partnere si dhe Paktin e Londrës që joshi italianët që të dilnin nga Blloku Trepalësh në këmbim të gllabërimit të një pjese të bregdetit shqiptar dhe dalmatin. Bërja publike e këtyre marrëveshjeve shkaktoi një indinjatë dhe siklet të madh anembanë botës duke fermentuar një klimë të përshtatshme ndërkombëtare kundër marrëveshjeve ndërkombëtare të fshehta. Prandaj, jo rastësisht, pika e parë, në listën e 14 pikave të paraqitura në 1918 nga presidenti Uillson për të ndërtuar një rend të ri ndërkombëtar, ishte pikërisht pika për eliminimin e ujdive sekrete në diplomaci.
Krejt e kundërta qëndron me negociatat sekrete, ku bisedimet janë sekrete, mirëpo rezultati i tyre, pra marrëveshja finale është publike. Lidhur me negociatat ekziston një paradigmë e konsoliduar dhe e pranuar gjerësisht se është më mirë që ato të zhvillohen në mënyrë sekrete. Faktikisht, paprekshmëria e çantave dhe korrierëve diplomatikë, komunikimi me mesazhe të shifruara apo bisedimet e fshehta nën rrogoz janë pjesë thelbësore e diplomacisë e, madje, janë koduar në të drejtën ndërkombëtare. Mjafton të lexosh Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, për të kuptuar se ajo është konceptuar si një instrument që iu jep mundësi diplomatëve për ta mbrojtur e mbajtur informacionin e fshehtë prej shtetit pritës, prej shteteve të tjera e prej mbarë publikut. Po ashtu, ka shpesh raste ku jo vetëm që bisedimet mbahen sekrete, por që për hir të interesave shtetërore, publiku nuk e di fare që është duke u bërë një negociatë. Kur u morr vesh gatishmëria e SHBA-ve për të bërë një marrëveshje paqe me Vietnamin Verior, Henry Kissinger i kishte bërë tashmë 12 raunde takimesh sekrete me vietkongët dhe kinezët.
Përpos kësaj, duhet thënë se publiku i gjerë nuk ka as aftësinë as kohën për të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në debatin diplomatik që mund të ndizet si rezultat i bërjes publike të të gjitha informatave lidhur me negociatat. Negociatat për përmbylljen e fazës finale të dialogut me Serbinë janë tejet të ndërlikuara e vijnë pas 7 vitesh negociatash të vazhdueshme të koklavitura teknike. Për këtë arsye është goxha e vështirë që të pritet që qytetarët e thjeshtë të kenë njohurinë, ekspertizën apo informimin e plotë që nevojitet për të pasur një opinion të pjekur dhe të duhur mbi një çështje si kjo. Kjo temë njëherazi ngjall shumë emocione dhimbje e marazi, të cilat e mjegullojnë akoma më shumë mendimin e arsyeshëm.
Kur flitet për emocione, vlen të përmendet se më shumë se sa shqetësimi për transparencën, shumica e kundërshtarëve të dialogut thjesht i kanë ende sytë të errur nga instinkti i hakmarrjes e nuk ndihen gati për të kapërdirë një marrëveshje me armiqtë historikë. Shtetet serioze dhe burrështetasit nuk e kanë luksin të ngelen peng të vajtimit e marazit, por duhet të kapërcejnë pengesat emocionale për hir të interesave shtetërore. Rasti më ekstrem që e dëshmon këtë gjë nëpër botë është negocimi me aktorët jokonvencionalë apo jo-shtetërorë sikurse janë terroristët.
Në parim shtetet demokratike deklarohen se refuzojnë të negociojnë me terroristët sepse nuk duan të bëhen peng të dhunës dhe nuk duan që të shpërblehen që shkaktojnë dhunën. Pranimi i terroristëve në tryezë të bisedimeve në njëfarë mënyre i amneston apo i legjitimon aktet e tyre të dhunshme dhe ndërkohë dekurajon ata aktorë dhe faktorë që përpiqen të arrijnë qëllimet e tyre politike me mjete paqësore. Megjithatë, në realitet, në praktikë, qeverive demokratike më të avancuara, shpesh iu duhet që të negociojnë me terroristët. Kështu për shembull qeveria spanjolle u ul në bisedime me terroristët baskë të ETA-s vetëm gjashtë muaj pasi ky grup kishte vrarë 21 qytetarë në 19 qershor 1987, nëpërmjet një makine bombe të vendosur në supermarkatën Hipercor në Barcelonë. Izraeli, që është i njohur dorën e ashpër me të cilën e trajton terrorizmin, negocioi në mënyrë të fshehtë marrëveshjet e Oslos në vitin 1993 në një kohë kur Organizata për Çlirimin e Palestinës vazhdonte aktivitetet e saj terroriste dhe refuzonte që të njihte të drejtën e shtetit të Izraelit për të ekzistuar. Britanikët e mbajtën një urë komunikimi me terroristët e IRA-as edhe në vitin 1991 kur kjo organizatë pothuaj shfarosi të gjithë kabinetin qeveritar të Britanisë nëpërmjet një sulmi me mortajë. Po ashtu në vitet e fundit është bërë publike se ka pasur bisedime intensive sekrete të amerikanëve me talebanët.
Gjithsesi, rasti i dialogut me Serbinë nuk është aspekt ekstrem sikurse janë negociatat sekrete me terroristët, por është një rast relativisht i zakonshëm e i përhapur, sepse sot pothuaj një e treta e shteteve të botës janë shtete që po tranzitojnë drejt demokracisë pasi kanë dalë nga një konflikt ndër-shtetëror apo luftë civile. Pra, ka një praktikë goxha të konsoliduar të mbajtjes së negociatave sekrete për t’iu vënë kapak konflikteve të së kaluarës. Sekreti në negociata është i nevojshëm qoftë përkundrejt palës tjetër e qoftë përkundrejt opinionit publik të brendshëm. Ashtu sikurse një trajner nuk bën publike të gjitha skemat dhe strategjitë e parashikuara para një ndeshjeje futbolli, sepse kjo gjë i jep mundësi kundërshtarit që t’iu paraprijë e t’iu gjejë një kundërpërgjigje efikase, ashtu edhe negociatori mban shumë gjëra në konfidencialitet të plotë. Të kërkosh nga negociatori që të negociojë me transparencë të plotë është njësoj sikur të kërkohet nga një lojtar pokeri që të luajë me letrat që ka në dorë zbuluar para kundërshtarit. Hapja e materialeve të negociatave do zbulonte ndjeshmëritë dhe rrethanat e tjera delikate të Kosovës duke e vënë palën tonë në pozicion inferior ndaj Serbisë, por edhe ndaj shteteve të tjera.
Për ta kuptuar se sa i hershëm është ky tension midis transparencës përbën një shtyllë demokracisë dhe nevojës për konfidencialitet në negociata, mjafton të lexohet mesazhi i Xhorxh Uashington për Kongresin në mars të vitit 1796, kur ai refuzoi që të bënte publike udhëzimet dhe dokumentet e përdorura në negociatat me mbretin Xhorxh III. “Natyra e negociatave të huaja kërkon kujdes, dhe suksesi i tyre shpesh duhet të varet nga sekreti; madje edhe kur të nxirret përfundimi, një zbulim i plotë i të gjitha masave, kërkesave apo koncesioneve eventuale që mund të jenë propozuar ose parashikuar do të ishte gjë jashtëzakonisht e pamatur, sepse kjo mund të shkaktojë një ndikim të dëmshëm në negociatat e ardhshme ose të krijojë vështirësi të menjëhershme, ndoshta rrezik dhe çrregullime, në lidhje me fuqitë e tjera”.
Mirëpo negociatat janë të nevojshme që të mbahen të fshehura jo vetëm ndaj vendeve të tjera, por edhe ndaj opinionit publik të vendit të vetë negociatorit. Negociatat çojnë drejt një kompromisi të dyanshëm që kërkon që të dy palët të fokusohen në interesa e tyre e jo në qëndrimet e deklaruara. Po ashtu kuptohet që duhet lëshuar diku për hir të bindur palët tjetër që të ketë interes tek negociatat dhe rezultati i tyre. Asnjë negociator nuk do të donte që të merret vesh paraprakisht se çfarë lëshimesh apo tolerimesh është i gatshëm të bëjë pa u siguruar që ka marrë së paku një gjë ngjashmërisht të vlefshme në këmbim. Pra, negociatorët, që ta bëjnë punën, siç duhet të jenë të siguruar, se ata do të vlerësohen e gjykohen për rezultatin përfundimtar të bisedimeve e jo për procesin. Nëse procesi do të ishte objektivi kryesor e jo ujdia finale, atëherë kuptohet që negociatorët do të fokusoheshin më shumë te procesi sesa tek arritja e një marrëveshje. Mirëpo të gjithë e dimë që për negociatorët dhe për mbarë shoqërinë, interesi kryesor është rezultati, pra ujdia e realizuar e jo mënyra se si e arrijnë.
Është e kotë të paragjykohet duke u thirrur në transparencë, sepse ne nuk e dimë se çfarë ka brenda një marrëveshje derisa ajo të përfundojë. Kjo nevojë publike legjitime për transparencë do të shterohet pas arritjes të saj, sepse do të ketë kohë të mjaftueshme pas përfundimit të negociatave për të debatuar dhe ratifikuar paketën e ujdisë së arritur. Pra, me rëndësi të madhe është transparenca e plotë e ujdisë së arritur e jo veprimet e ndërmarra për ta arritur atë. Paragjykimet në vetvete janë shpesh pengesa të mëdha për të arritur marrëveshje paqeje. Në mungesë të bisedimeve, negociatorët nuk e dinë a është e arritshme apo jo një marrëveshje nga e cila përfitojnë të dy palët. Po ashtu nuk e dinë se cili propozim për marrëveshje do të marri mbështetjen e duhur nga parlamenti e cili propozim do të bllokohej. Negociatat janë në mënyrë të pashmangshme ekuacione me shumë të panjohura dhe, nëse shtetet e ndryshme do të prisnin deri sa të kishin informacion të plotë mbi të gjitha elementet e një konflikti apo mosmarrëveshje, gjasat janë të mëdha që nuk do të zhvilloheshin ndonjëherë negociata për çështje komplekse si çështja jonë.
Duhet kuptuar se bisedimet sekrete iu ndihmojnë diplomatëve që të jenë të lirë dhe të sinqertë në shprehjen e pikëpamjeve të tyre duke mundësuar ndërtimin e një raporti mirëbesimi dhe kanali të pranueshëm komunikimi me palën tjetër. Diplomacia e hapur e transparente tingëllon dinjitoze në teori, por mund të jetë mashtruese në praktikë. Kjo sepse nevoja për të siguruar simpatinë publike për një çështje të rëndësishme shtetërore, mund të bëjë që diplomatët të shtiren, të praktikojnë propagandë apo makijazhe të pëlqyeshme për masat por që shkojnë ndesh me interesin e vendit.
Për ta kuptuar më mirë nevojën për aktrim para publikut të diplomatëve apo negociatorëve, mjafton të shikohet situata me elitën politike shqiptare dhe sjelljen në parlament. Në seancat me dyer të hapura që transmetohen nga televizioni, deputetët nuk komunikojnë më natyrshëm me njeri tjetrin, por me audiencën publike, duke e shfrytëzuar situatën për të bërë elektoratin për vete. Pra, aktrojnë duke u hequr si pasionantë, duke simuluar apo provokuar përplasje, mbajtur tonet të ndezura e agresive ndaj kundërshtarëve publikë. Në privat, jashtë kamerave, ata janë shumë më tepër konstruktiv e bashkëpunues, janë shumë më tepër të gatshëm për dialog, ndërveprim e mirëkuptim. Për këtë arsye, edhe pse mund të duket ironike, gjasat janë që puna e parlamentit të jetë më konstruktive nëse nuk ka kamera e bashkë me to, nevojë për aktrim.
Janë të shumta proceset e negociatave të paqes nëpër botë që, sikurse po ndodh në Kosovë, janë penguar nga inate e hatërmbetje personale; janë bllokuar nga tendenca ekzibicioniste të shumë personave që kanë qëndrime e retorikë populiste për t’u bërë më popullorë; apo janë ndalur nga politikanë të papërgjegjshëm që i hedhin benzinë emocioneve të urrejtjes, hakmarrjes e frikës për të marrë më shumë vota. Status quo-ja ka një inerci të sajën që do shumë fuqi e energji për ta përballur e për ta ndryshuar. Arritja e paqes dhe mbyllja e kapitullit të konfliktit, kërkon një sens të lartë përgjegjësie dhe detyre dhe kërkon liderë kurajozë, të gatshëm të sakrifikojnë popullaritetin e tyre për hir të interesave shtetëror. Fundja dihet mirë që dallimi kryesor mes politikanëve kalimtarë dhe burrështetasve historik është se politikanët mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme ndërsa burrështetasit për brezat e ardhshëm.
Komentet