VOAL

VOAL

Dëshmitari që humbi jetën në Mal të Zi dhe marrja në pyetje në Hagë, rrëfehet Haradinaj

August 8, 2019

Komentet

“Ka një feeling të ngrohtë si jaht”/ Vilat luksoze në Palasë! E-maili i Alban Eftimit që ‘fundosi’ Ballukun

 

Dy email-e të dërguara nga biznesmeni Alban Eftimi në adresë të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku janë bërë pjesë e dosjes së SPAK, në kuadër të hetimeve për vilën luksoze në Palasë, për të cilën prokuroria dyshon se është përfituar si ryshfet në këmbim të tenderave publikë.

Sipas SPAK, e-maili i parë tregon komunikimin e drejtpërdrejtë të Eftimit me Ballukun për detaje të projektimit dhe arredimit të vilës, në një kohë kur objekti ishte ende në ndërtim.

Në një email të datës 14 shtator 2020, Eftimi i dërgon Ballukut një sërë detajesh për punimet në vilë, duke përshkruar edhe elementë të veçantë të projektit, nga pishina dhe vaskat hidromasazhi, te materialet e përdorura dhe mënyra e organizimit të ambienteve.

“Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me ‘teak’ për një ‘feeling’ pak më të ngrohtë e pak si jaht”, shkruan Eftimi në email.

Në të njëjtin komunikim ai përmend edhe mundësinë që vila të jepet me qira në të ardhmen, duke diskutuar për mënyrën se si ambientet duhet të krijonin ndjesinë e një hoteli luksoz.

“Shkallët mes 2 godinave kanë gjelbërim kacavjerrës në të dy muret anësore”, shkruan biznesmeni, ndërsa vijon me detaje për pishinën “infinity”, tavolinën e ngrënies në nivel me ujin dhe hapësirat e parashikuara për vendosjen e gotave e pjatave.

Eftimi përshkruan gjithashtu dy vaska hidromasazhi të vendosura në krahët anësorë të vilave, si dhe përdorimin e materialeve prej “teak” për të krijuar një atmosferë të ngrohtë, të ngjashme me një jaht.

“Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos të japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen të llastuar njësoj si në hotel. Shkallët mes 2 godinave kanë gjelbërim kacavjerrës në të dy muret anësore. Në një krah të pishinës zbritet me shkallë dhe ka një tavolinë ngrënieje në një nivel me ujin që të shijohet në maksimum “infinity pool”. Pishina në skajin drejt detit ka po ashtu një plan për të vendosur gota e ndonjë pjatë.

Në 2 krahët anësore të shtëpive në nivelin e hyrjes dhe suitave janë bërë 2 vaska hidromasazhi (shih hotel Roccabella në Santorini).
Suitat do i punojmë akoma me variante. Ndarjet e kuzhinës me soggiornon dhe të garderobës tek “master bedroom” janë fizarmonikë. Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me “teak” për një “feeling” pak më të ngrohtë e pak si jaht. Shihe si alternativë kur të përfundojmë dhe renderat dhe nëse s’të ngjit, kthehemi tek mermerët blu”, thuhet në email.

Katër ditë më vonë, më 18 shtator 2020, Eftimi i dërgon sërish Ballukut një dokument me emërtimin “Vilat binjake Palasë”. Dokumenti përbëhet nga 11 faqe dhe përmban planimetri dhe projekte të sipërfaqeve të dy vilave.

Sipas hetimeve të SPAK, vila me numër 188/1 në Palasë ishte ndërtuar deri në fazën e karabinasë me investimin e ish-futbollistit Igli Tare. Më pas, punimet e tjera të objektit dyshohet se janë marrë përsipër dhe financuar nga biznesmeni Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”.

Kjo kompani, së bashku me operatorë të tjerë ekonomikë, ka fituar tenderin për ndërtimin e lotit 7 të Unazës së Madhe të Tiranës.

SPAK e konsideron me rëndësi edhe lidhjen familjare mes Abazit dhe Ballukut. Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimi, Abazi bashkëjeton me një të afërme të ish-zv.kryeministres.

Në kuadër të hetimeve, SPAK ka vendosur sekuestrimin e vilës në Palasë, ndërsa emri i Belinda Ballukut është regjistruar si person nën hetim për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Balluku është gjithashtu e pandehur në një tjetër çështje penale që lidhet me tenderat publikë, konkretisht për procedurat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Jashtme të Tiranës.

Hetimi për vilën në Palasë dhe komunikimet e zbuluara tashmë janë pjesë e një tjetër piste të SPAK, duke thelluar hetimet dhe rënduar akuzat ndaj ish-numrit dy të qeverisë Rama.

(Foto) Roccabella Santorini, ja nga u frymëzua Belinda Balluku për vilën në Palasë që të ndihet “e llastuar si në jaht”

Kur një ish-zyrtar i lartë akuzohet për shpërdorim detyre, abuzim me tendera dhe përvetësim të miliona eurove, normalisht pret të gjesh në dosje kontrata, llogari bankare dhe prova financiare.

Por në Shqipëri, sipas asaj që del nga dosja e publikuar, historia ka një trajtë tjetër. Në qendër janë vilat luksoze, pishinat infinity, jacuzzi-t, teak-u dhe shqetësimi nëse prona duhet të ketë “feeling” si jaht.

Në një email të 14 shtatorit 2020, arkitekti Alban Eftimi i shkruan Belinda Ballukut për detajet e vilës në Palasë, për pishinën, suitat, vaskat hidromasazhuese, veshjen me teak dhe mënyrën se si përdoruesit do të ndiheshin “të llastuar njësoj si në hotel”. Teaku rreth pishinës duhej t’i jepte pronës “një feeling pak më të ngrohtë e pak si jaht”. Dhe për model merrej Roccabella në Santorini (në foto).

Pra, Santorini ishte frymëzimi, Roccabella ishte modeli, ndërsa Palasa duhej të bëhej versioni shqiptar: e njëjta pamje, i njëjti luks, i njëjti “feeling” me detin Jon përpara.

Në pamje të parë, mund të duken si detaje të zakonshme arkitekture. Por kur në të njëjtën histori shfaqet një zyrtare e lartë shteti dhe një vilë luksoze në bregdet, pyetja bëhet shumë më pak romantike se një “infinity vieë”: Kush e pagoi këtë luks dhe me ç’para?

Nëse dyshimet e SPAK-ut për shpërdorim detyre e përvetësim parash provohen, atëherë vila e Palasës nuk do të jetë thjesht historia e një prone luksoze. Do të jetë historia e një skeme ku tenderi publik ka prodhuar përfitim privat.

Kur në dosje dalin emaile për vilën, përshkrime të luksit, referenca konkrete arkitekturore dhe gjurmë që duhen hetuar për të kuptuar lidhjen mes pasurisë private dhe parave publike, a nuk është pikërisht ky momenti kur hetimi duhet të shkojë deri në fund?

Sepse Roccabella mund të jetë frymëzim. Teaku mund të jetë thjesht teak. Jacuzzi mund të jetë thjesht jacuzzi. Edhe “feeling-u pak si jaht” mund të jetë një zgjedhje arkitekturore. Por nëse pas gjithë këtij luksi fshihet paraja e tenderave publikë, atëherë nuk kemi më të bëjmë me arkitekturë. Kemi të bëjmë me prova që kërkojnë përgjigje.

Dhe nëse SPAK-u i ka këto prova përpara, pyetja është e thjeshtë: Çfarë tjetër po pret?

© BalkanWeb

Adriatik Lapaj denoncon: Çdo ditë paguhen 35 mijë euro për inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston! Para një jave Ermal Beqirit i dhanë tenderin në AKSHI! “Besa” e Ramës? Qesharake, kemi nevojë për shërbime

Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka akuzuar qeverinë se nuk ka reflektuar për problematikat e ngritura së fundmi edhe në protestën qytetare që për më shumë se tre muaj kërkon dorëheqjen e Edi Ramës.

I ftuar në studion e News24, ai denoncoi se çdo ditë nga buxheti paguhen 35 mijë euro për inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston.

Po ashtu ai solli edhe shembullin e një tenderi në AKSHI, që sipas tij rreth një javë më parë iu dha Ermal Beqirit, të arrestuar në Francë.

“Nuk ka reflektuar aspak, përkundrazi. Sot që flasim janë paguar 35 mijë euro nga buxheti për inceneratorin e Tiranës që nuk ekzistojnë. Cdo ditë paguhen 35 mijë euro. Para një jave u shpall fitues në një tender të AKSHI-t, Ermal Beqiraj që është në kërkim për abuzime dhe keqtrajtim të buxhetit në vlera 220 mln euro dhe është i arrestuar në Francë. S’ka një javë i dhanë tenderin e radhës, në vlerën 20 e ca mln lekë”, tha Lapaj.

Teksa komentoi nisëm e kryeministrit Rama për atë që ai e ka quajtur “Besa”, Lapaj tha se është qesharake që të përdoret një fjalë kaq e shenjtë, duke theksuar se qeveria tenton ti hedhe hi syve shqiptarëve.

“Jo që nuk ka reflektim por Mundohen të na hedhin hi syve. Dokumenti Besa është qesharake, me vjen keq që një fjalë kaq e shenjtë për popullin tonë e kthejnë qesharake. Nuk nevojë për Besë nga qeveria, kemi nevojë për shërbime”, deklaroi ndër të tjera Lapaj.

MODERNIZIMI DIXHITAL, SHQIPËRIA NË SHITJE- Nga PETRIT ALIAJ

Modernizimi dhe zotërimi i pafiltruar i teknologjisë dixhitale në Shqipëri do t’i tregojë kujtdo për “besën” e prerë të partisë së tij se çdo gjë është jashtë kontrollit: jo vetëm të dhënat tona personale, por edhe ato strategjike, të cilat nuk janë më thjesht çështje administrimi apo modernizimi, por përbëjnë vijën e parë të frontit për ekzistencën dhe sovranitetin e një kombi. Shkaku është i njëjtë, por pasoja rrjedh në dy drejtime njëherësh: nga njëra anë, jeta private e çdo qytetari mbetet e ekspozuar ndaj syve të huaj; nga ana tjetër, vetë shteti humbet kontrollin mbi infrastrukturën që e mban në këmbë, duke i hapur derën një varësie që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.
Nga shqetësimi im si qytetar, e ndjej detyrim atdhetar të ngre një çështje shumë të rrezikshme, delikate dhe të kamufluar, të hedh pak dritë mbi errësirën e mungesës së informacionit dhe të transparencës rreth rrënimit të vendit tim, se si po rrënohet dhe po tjetërsohet Atdheu, dhe e gjej të pamundur të hesht përballë një rreziku fatal që po gërryen heshturazi themelet e shtetit tonë. Ky rrezik nuk lindi tani: ai është fryt i 35 vjetësh keqqeverisje, e shkruar bashkërisht nga të gjitha partitë që janë rrotulluar në pushtet, pavarësisht ngjyrës së tyre politike.
Ndërsa qytetarët protestojnë dhe mbushin sheshet në një qëndresë prej më shumë se 100 ditësh kundër korrupsionit dhe grabitjes së pasurive publike, një tradhti tjetër po konsumohet në prapaskenë: nëse sot po shiten tokat e bregdetit për t’u pasuruar pa skrupull, nesër po dorëzohet pa asnjë kusht vetë sovraniteti dixhital i Shqipërisë.
Kjo shembje nuk po ndodh rastësisht, por përmes një degradimi total të parlamentarizmit. Duke ndjekur nga afër mbledhjet e komisioneve parlamentare, vërej se si vendimet më strategjike për të ardhmen e vendit merren me votime rrufe, pa asnjë debat real dhe nga një shumicë anëtarësh që ndodhen aty thjesht për të ngritur dorën. Janë kthyer në një kolegj kartonësh pa asnjë përgatitje profesionale, të cilët zbatojnë me sy të mbyllur çdo urdhër që vjen nga lart. I shkon për shtat këtu shprehja jonë e urtë popullore: “Fluturon gomari? Po, fluturon!”. Kjo ndodh sepse, nëse partia kërkon të votosh se gomari fluturon, apo se dorëzimi i të dhënave të shtetit te kompani private është “modernizim”, dora ngrihet pa bërë asnjë pyetje.
Në majën e kësaj piramide politike, Kryeministri Edi Rama miraton marrëveshjet strategjike me Izraelin, ndërsa mbikëqyrja politike mbi Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ushtrohet nga institucioni përgjegjës për Reformën Administrative. Zinxhiri komandues shtrihet më tej te figura si Endrit Shala, ish-drejtor i AKSK-së dhe tashmë këshilltar i Ministrit të Brendshëm, si dhe te drejtuesit e drejtpërdrejtë të AKSK-së, Igli Tafa dhe Gentian Sala. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar me saktësi se kush duhet ta mbrojë shtetin nga kjo linjë marrëveshjesh që cenojnë sigurinë kombëtare: Gjykata Kushtetuese duhet të rrëzojë çdo pakt antikushtetues; Komisioni i Sigurisë Kombëtare në Kuvend duhet të filtrojë çdo projektligj teknologjik; Presidenti i Republikës, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë, duhet të bllokojë dekretimin e ligjeve që prekin sovranitetin; KLSH-ja duhet të auditojë prokurimet e fshehta; AKSK-ja vetë dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave duhet të garantojnë që të dhënat tona të mos dërgohen jashtë kufijve; ndërsa SPAK-u ka detyrimin të hetojë çdo zyrtar për shpërdorim detyre në këtë aksion. Mjerisht, pyetja se cilat nga këto instanca kanë parandaluar në kohë këto procedura gjen një përgjigje tronditëse: asnjë prej tyre.
Në vend që të shërbenin si mbrojtëse të sovranitetit kombëtar, këto institucione janë dorëzuar para kapjes politike ose kanë zgjedhur heshtjen burokratike. Asnjë ankesë nuk është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, asnjë pezullim nuk është bërë nga Presidenti dhe asnjë alarm publik nuk është ngritur nga autoritetet teknike. Vetëm në vitin 2026, pas faktit të kryer, SPAK ka hapur hetim ndaj Igli Tafës dhe Gentian Salës për instalim të paligjshëm dhe shkelje të privatësisë, duke konfirmuar se filtri mbrojtës i shtetit ka rënë tërësisht.
Pikërisht përmes këtij mekanizmi të verbër, prapa narrativës zyrtare të “progresit”, po fshihet një kapërcim sistematik i ligjeve të shtetit shqiptar dhe normave evropiane. Ndërsa Bashkia e Tiranës, nën drejtimin e Erion Veliajt, lehtëson infrastrukturën lokale, lejet e ndërtimit dhe integrimin e sistemeve të mbikëqyrjes urbane në kuadër të marrëveshjeve për “Smart City”, dhënia e lejes së ndërtimit brenda vetëm 60 ditësh përbën një kohë rekord të paparë për një projekt me specifika kaq të larta ushtarake e teknologjike, i cili kërkonte vlerësim të imtësishëm mjedisor, të sigurisë kombëtare dhe të sovranitetit. Përzgjedhja e ADC (Advanced Data Center) u bë në errësirë të plotë, pa asnjë proces konkurrues e pa tender publik, një shkelje flagrante e ligjit për prokurimet publike dhe e udhëzimeve të BE-së. Për më tepër, përmes një kontrate të fshehtë me “klientin qeveritar”, publiku dhe institucionet kushtetuese nuk e dinë se çfarë të dhënash do të ruhen aty, kush ka akses në to dhe sa kohë do të mbeten fizikisht në Shqipëri.
Përmasat e këtij skandali u bënë me të vërtetë alarmante kur, në vitin 2025, AKSK, nën drejtimin e Tafës dhe Salës, u kthye në instaluesin dhe operatorin zyrtar të shtatë pajisjeve të kontrollit të thelluar të paketave (DPI) të modelit Service Gateway 9700, të prodhuara nga kompania izraelite Allot Ltd., me partner teknik për sigurinë kibernetike kompaninë Accel Solutions Group nga Izraeli. Allot Ltd., themeluar në Izrael në vitin 1996, ka qenë prej dekadash një nga liderët botërorë të teknologjisë DPI dhe deri kohët e fundit ishte e listuar në bursat Nasdaq dhe Tel Aviv, përpara se aksionet e saj të hiqeshin nga tregtimi publik në qershor të vitit 2026. Vetë teknologjia DPI lejon që çdo paketë e të dhënave që kalon nëpër rrjet të hapet dhe të analizohet në kohë reale, duke dhënë qasje jo vetëm te burimi dhe destinacioni i trafikut, por edhe te vetë përmbajtja e komunikimeve, çka e bën dukshëm më invazive se monitorimi i zakonshëm i metadhënave. Accel Solutions Group, themeluar në vitin 2004 dhe me bazë në Petah Tikva të Izraelit, është e specializuar në shpërndarjen dhe integrimin e pajisjeve kibernetike e telekomunikuese për operatorë telekomi dhe entitete shtetërore, përfshirë agjenci qeveritare, banka dhe kompani sigurimesh, çka e bën rolin e saj në këtë kontratë atë të një integruesi teknik dhe jo thjesht të një furnizuesi. Me lejen e operatorëve celularë Vodafone Albania dhe One Albania, të cilët siguruan infrastrukturën fizike pa pasur vetë akses në përmbajtje, këto pajisje u integruan direkt në rrjetet kombëtare. Kjo arkitekturë teknike krijon mundësinë e leximit të të gjitha komunikimeve (mesazheve, thirrjeve në WhatsApp, email-eve dhe rrjeteve sociale), të bllokimit ose censurimit të aplikacioneve si TikTok apo Telegram, dhe të ruajtjes së të dhënave pa afat, pa asnjë garanci të GDPR-së dhe pa asnjë mbikëqyrje të pavarur.
Kush i kontrollon në të vërtetë këto të dhëna? Në rrafshin teknik, ekspertët izraelitë të Allot dhe INCD gëzojnë akses teknik dhe “dyer të fshehta” (backdoors) që u mundësojnë leximin e trafikut në kohë reale nga Izraeli. Në rrafshin institucional, AKSK ka akses të drejtpërdrejtë në çdo të dhënë trafiku, ndërsa qeveria shqiptare ushtron kontrollin politik mbi mënyrën se si përdoren ato. Përdorimi i kësaj teknologjie mbart rrezikun e drejtpërdrejtë të shfrytëzimit politik për përgjimin e opozitës, gazetarëve dhe aktivistëve. Modeli teknik i këtyre sistemeve buron nga kompanitë e specializuara në mbikëqyrje sulmuese si NSO Group apo Cytrox, krijueset e Pegasus dhe Predator, dy nga spyware-t më të njohura në botë për përgjimin e telefonave të gazetarëve, avokatëve dhe politikanëve, çka u ka sjellë këtyre kompanive sanksione dhe kufizime tregtare nga autoritete perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Këto kompani, si dhe gjigantë të tjerë si Palo Alto Networks, një prej korporatave më të mëdha amerikane të sigurisë kibernetike, apo Elbit Systems, konglomerati kryesor izraelit i industrisë së mbrojtjes që prodhon nga dronë e sisteme raketore deri te platforma survejimi dhe lufte elektronike, zhvillojnë mjete të shkallës ushtarake përmes cenueshmërive të panjohura (Zero-Day Exploits). Dërgimi i vazhdueshëm i të dhënave telemetrike drejt serverave të huaj u jep aktorëve të jashtëm pamje të plotë mbi jetën private dhe sigurinë e një shteti.
Kjo formë varësie sakrifikon drejtpërdrejt interesat kombëtare. Të dhënat konfidenciale të qytetarëve, bankave, sistemit energjetik dhe telekomunikacionit po ruhen në një infrastrukturë të kontrolluar nga një kompani e huaj, pa asnjë garanci për lokalizimin e tyre. Në rast të një sulmi kibernetik, një krize gjeopolitike apo një konflikti ku përfshihet Izraeli, Shqipëria rrezikon të bllokohet dhe të humbasë plotësisht aksesin në të dhënat e veta vitale. Projektet si ADC dhe instalimi i pajisjeve DPI janë vetëm hapi i parë drejt shtrimit të rrugës për një varg projektesh të tjera në sigurinë kibernetike, telekomunikacion e mbrojtje, duke vulosur kontrollin e plotë të infrastrukturës sonë nga kompani private izraelite.
E vërteta më e hidhur e këtij degradimi është heshtja ose bashkëfajësia e strukturave që duhet të mbronin interesin publik. Mungesa e një zëri të fortë opozitar për skandalin e ADC-së dhe të pajisjeve DPI ngre dyshime të bazuara se edhe opozita ka interesa të ngjashme në tenderat e ardhshëm të IT-së. Shqetësimet e izoluara të ndonjë OJF-je, si Instituti i Studimeve të Sigurisë, kanë mbetur pa asnjë ndikim në vendimmarrje, ndërsa pjesa më e madhe e mediave kryesore e kanë paraqitur këtë zhvillim si “lajm pozitiv teknologjik”, duke refuzuar të bëjnë pyetjen elementare: kush fiton dhe çfarë po humbet kombi shqiptar?
Anashkalimi i standardeve të BE-së, si Direktiva NIS 2 dhe GDPR, po e çon vendin drejt një skenari të errët dhe drejt shndërrimit në një “koloni dixhitale”. Ndërsa BE-ja dhe Autoritetet e të Dhënave nuk kanë asnjë akses, auditim apo mbikëqyrje zyrtare mbi këtë instalim, në periudhën 2027 deri në 2030 Shqipëria rrezikon të bëhet përfundimisht një qendër rajonale për mbledhjen e të dhënave ballkanase nën kontrollin e drejtpërdrejtë të kompanive private izraelite. Në rast konfliktesh gjeopolitike ose përplasjesh ushtarake në Lindjen e Mesme, ekziston rreziku real që Izraeli ta përdorë këtë infrastrukturë për të mbikëqyrur, filtruar ose sabotuar të dhënat rajonale. Pas vitit 2030, për shkak të shkeljes së acquis-it dixhital (Kapitulli 10) dhe mungesës së transparencës mbi marrëveshjet dhe emrat e ekspertëve të huaj, Shqipëria do të shihet si një “pikë e dobët” e mbrojtjes evropiane të të dhënave, duke cenuar përfundimisht integrimin tonë.
Qëndresa 100-ditore e shqiptarëve në rrugë nuk është thjesht një revoltë kundër vjedhjes së tokës apo varfërimit; kjo është një luftë për dinjitetin dhe të ardhmen e Atdheut. Një kastë që shet pronat publike, që i ka kthyer deputetët në robotë ngritës duarsh dhe që dorëzon çelësat e inteligjencës kombëtare te kompani të huaja private, ka humbur çdo legjitimitet moral e politik. Zgjimi kombëtar nuk mund të ndalet te mbrojtja e shesheve; ai duhet të përfshijë mbrojtjen e çdo të dhëne, çdo kodi dhe çdo të drejte që na takon si qytetarë të lirë. Është koha për të kërkuar llogari të plotë, transparencë radikale dhe rikthimin e sovranitetit të Shqipërisë në duart e qytetarëve të saj!
Burimet e informacionit: Direktiva e BE-së për Sigurinë e Rrjeteve dhe Informacionit (NIS 2, Direktiva 2022/2555); Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave e BE-së (GDPR, Rregullorja 2016/679); Korniza e BE-së për Sigurinë Kibernetike (Cybersecurity Act, Rregullorja 2019/881); raportet e Citizen Lab (Universiteti i Torontos) dhe të Amnesty International mbi përdorimin e programeve spiune (Pegasus/NSO Group, Predator/Cytrox); kuadri ligjor i Republikës së Shqipërisë për Prokurimin Publik (Ligji nr. 162/2020) dhe për Mbrojtjen e Infrastrukturave Kritike; si dhe deklaratat publike të shoqërisë civile dhe raportet analitike të Institutit të Studimeve të Sigurisë (ISS).

Gazeta gjermane: Shqipëria është prodhuesi më i madh i kanabisit, mafia shqiptare po e shpërndan modelin në Evropë

 

Një plantacion i madh kanabisi i zbuluar në një pallat banimi të periudhës së ish-Gjermanisë Lindore ka çuar në bankën e të akuzuarve tre persona në Gjermani, ndërsa në gjykatën e Stendalit ka nisur procesi ndaj tyre.

“Shqipëria konsiderohet prodhuesi më i madh i kanabisit në Evropë. Por mafia shqiptare po e zhvendos gjithnjë e më shumë prodhimin në vendet ku vepron. Një plantacion i brendshëm (indoor) i zbuluar në fund të shkurtit 2026 në Gjermani, tashmë është në qendër të një çështjeje që po shqyrtohet nga Gjykata Rajonale e Stendalit. Të pandehur janë dy shqiptarë dhe një gjerman,” shkruan gazeta gjermane Volksstimme.

Sipas saj, në një ndërtesë banimi në qarkun Stendal, në landin Saksonia-Anhalt, policia zbuloi rreth 800 bimë kanabisi, së bashku me pajisje teknike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura. Zbulimi u bë gjatë një ndërhyrjeje të policisë në godinë.

Në çështjen që po shqyrtohet nga gjykata në Stendal janë të përfshirë dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas gjerman, sipas raportimit të Volksstimme. Ata përballen me akuza që lidhen me kultivimin dhe tregtimin e paligjshëm të kanabisit.

Rasti ka tërhequr vëmendje për shkak të përmasave të plantacionit dhe mënyrës së organizimit të tij. Policia kishte konstatuar një sistem të pajisur me mjete teknike për prodhim në ambiente të mbyllura.

Hetimet gjermane kanë trajtuar rastin si veprimtari të organizuar të kultivimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike. Në një tjetër operacion të zhvilluar në landin Saksonia-Anhalt, autoritetet kanë raportuar se plantacione të tilla mund të përfshijnë qindra bimë dhe pajisje të specializuara për kultivim.

Procesi gjyqësor në Stendal pritet të hedhë dritë mbi rolin konkret të secilit prej të akuzuarve, mënyrën e funksionimit të plantacionit dhe destinacionin e kanabisit të prodhuar. sn

A do të këtë neser në Kuvend, pendim për kriza, dhe Atdheu të qitet në rend të parë?- Koment nga Skënder MULLIQI

—–Është e quditshme së si nuk po iu ndriqohet truri sado pak për të shikuar realitetitn në sy.Kosova nuk ka nevojë për njerëz të cilët interesin përsonal e kan vu para interesit të përgjitshem.Kosova nuk ka nevojë për njerëz të cilët e kryqëzojnë të ardhmën tonë.Kosova nuk ka nevojë për ata të cilët shkatërrojnë çdo kujtim të mirë.Po bëhët ndarja më formulën politike kush jemi NE dhe kush janë ATA…
   Neser mbahet séanca konstituive, ku  na mbetet të shohim së a do të formohen organet e reja, apo do të kemi zgjedhje të reja?Kjo mvaret nga protagonistet  e politikës, të cilët edhe I kan pru krizat e vazhdueshme politike dhe institucionale.Këto kriza kan prejarrdhje të gjatë, kan identitin e luftës së ashpër për pushtet, e jo për shtet.Shumë nga këta njerëz të politikës  kan shkelur rëndë në korrupcion , krim të organizuar dhe pasurime të pa ligjshme. Janë duke luajtur lojën, që më çdo kusht të grabisin pushtetin.Me këta njerëz zor që pritet ndonjë zhvillim pozitiv neser në Kuvendin e Kosovës?Fatkeqësisht ky është realiteti  i ndyrë politik i Kosovës, po ashtu është krim i ndyrë mediatik-politik , në këtë luftë epike për rrënimin ose mbijetesën e Atdheut tonë të dashur.Në këtë realitet të ndyrë ,ku mbretëron politika e shanazhit , ku mbretëron politika  e zverdhjes së hapur , ku logjika në media është ” sa më shumë kaos në Kosovë aq më mirë për ne”, ku paratë mbretërojnë me impulset më të ulëta.Këta njerëz të pa përgjegjshem të politikës sikur kan vendosur të qmendin popullin , duke gjykuar sipas interesave egoiste  se gjoja është mirë për të shkuar në zgjedhje të reja shumë të kushtueshme , pa e pasur dert së Kosova po vuan nga veprimet e tilla antishtet.Këta thyen fjalën me qinda here deri më sot, ndërruan po ashtu mendje, shantazhuan dhe manipuluan më ndjenjat e qytetarëve.Është e quditshme së si nuk po iu ndriqohet truri sado pak për të shikuar realitetitn në sy.Kosova nuk ka nevojë për njerëz të cilët interesin përsonal e kan vu para interesit të përgjitshem.Kosova nuk ka nevojë për njerëz të cilët e kryqëzojnë të ardhmën tonë.Kosova nuk ka nevojë për ata të cilët shkatërrojnë çdo kujtim të mirë.Po bëhët ndarja më formulën politike kush jemi NE dhe kush janë ATA,  dhe nuk po dëshirojnë të kuptojnë  së gjithë kjo ndarje të taborreve politike, mund ta dërgojë vendin në greminë.Të shohim neser së a do të këtë pendesa për gjendjën e krijuar më kriza të panevojshme  që shumë kohë.Do të shohim së a do të këtë pendim dhe do  të qesin Atdheun  në plan të parë…?

FRANCE24: Zemërimi i shqiptarëve nuk shuhet as pas 100 ditësh protestë, kërkohet largimi i Ramës

FRANCE24

Zemërimi shqiptar mbetet i pandryshuar në ditën e 101-të radhazi të protestave.

Kaosi mbizotëron përpara Kuvendit.

Pavarësisht pranisë së madhe të policisë, disa ligjvënës, ende brenda automjeteve të tyre, përpiqen të gjejnë një rrugëdalje ndërsa përballen me protestuesit.

Në këtë përballje të tensionuar, disa persona u arrestuan nga forcat e rendit.

“Ata ishin shumë të dhunshëm, por nuk e kuptojnë se dhuna e tyre po na bën edhe më të vendosur dhe ne do të sjellim këtu edhe më shumë njerëz. Ata mendojnë se, duke na arrestuar, duke na mbajtur ilegalisht në burg, mendojnë se mund të na trembin, por është pikërisht e kundërta. Ne nuk kemi frikë,” thotë një protestues.

Në themel të kësaj lëvizjeje protestuese qëndron një projekt luksoz i pasurive të paluajtshme nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump, dhëndri dhe vajza e Donald Trumpit, në një zonë natyrore të mbrojtur në jugperëndim të Shqipërisë.

Flamingoja është bërë simboli i kësaj lëvizjeje, e cila po kanalizon gjithashtu zemërimin e protestuesve ndaj qeverisë dhe korrupsionit të saj të pretenduar. Njerëzit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Ne jemi këtu sepse këtë duam. Të rinjtë janë shumë të vendosur. Jeta po bëhet më e vështirë dhe qeveria nuk po dëgjon. Ne besojmë se Shqipëria mund të bëjë më mirë. Duam një qeveri që i dëgjon njerëzit e saj dhe u jep të rinjve mundësi dhe respekton të ardhmen e tyre,” thotë një tjetër protestues.

Një tjetër kërkesë e protestuesve është shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura. I ndryshuar në vitin 2024, ligji tashmë është më i favorshëm për investitorët, në kurriz të mjedisit, sipas protestuesve. sn

“Përleshje mes policisë dhe protestuesve” “Le Figaro”: Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama

Le Figaro

Të martën në mbrëmje shpërthyen përleshje mes policisë shqiptare dhe protestuesve që protestojnë në Tiranë kundër një projekti turistik të lidhur me familjen Trump dhe që u përpoqën të bllokonin deputetët në parlament.

Të mbledhur përpara disa hyrjeve të Kuvendit, disa qindra protestues u përpoqën të çanin kordonët e vendosur nga policia e ndërhyrjes së shpejtë, në momentin kur deputetët po dilnin, konstatoi një gazetare e AFP-së.

 

Në një përballje të tensionuar, disa protestues u ndaluan nga forcat e rendit, sipas gazetarëve të AFP-së në vendngjarje. Disa prej tyre hodhën vezë, domate dhe shishe në drejtim të makinave të deputetëve që kalonin përmes një korridori të siguruar nga policët. Policia nuk ka bërë të ditur numrin e personave të ndaluar, por protestuesit që u drejtuan drejt një komisariati policie për të kërkuar «lirimin e qytetarëve» pretendojnë se numri i tyre mund të jetë rreth njëzet.

Bëhet fjalë për ditën e 101-të të protestave që zhvillohen çdo ditë në kryeqytetin shqiptar, për të protestuar kundër një projekti gjigant turistik në bregdet, të lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump, dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Kundërshtimi nisi në fund të majit, pas fillimit të punimeve përgatitore në një zonë natyrore të mbrojtur në rajonin e Zvërnecit (jugperëndim). Kjo lëvizje proteste është shndërruar në një pikë ku janë përqendruar shqetësimet lidhur me korrupsionin e dyshuar dhe mungesën e transparencës së qeverisë.

Protestuesit, të cilët mbanin flamuj shqiptarë dhe flamingo prej kartoni, zog që është shndërruar në simbol të lëvizjes së tyre, kërkuan përsëri të martën në mbrëmje anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, për të cilin ata pretendojnë se është miratuar në favor të investitorit. bw

Në Shtetin e Ronit!- Nga Irena Beqiraj

 

Audio përgjimi që dëgjuam dje, tregoi se korrupsioni i zakonshëm administrativ që thyen rregullat është tejkaluar, në shtetin aktual shqiptar, rregullat i rishkruan Roni.

Audio përgjimi tregoi se ne operojmë në ‘Shtetin e Ronit’ ku menaxhimi i pronës publike riorganizohet në mënyrë të tillë që shfrytëzimi i saj të kanalizohet vetëm në duar e Ronit edhe sojit të tij , duke anashkaluar rregullat e transparencës edhe llogaridhënies.

Audio përgjimi i djeshëm ishte prova më e pastër sesi ligji përdoret si instrument nxitës i njëanshëm për transferimin e parave pa procedura garuese, pa transparencë, e pa llogaridhënie, nga buxheti tek Roni, i cili haptazi thotë se është i panginjur edhe dëshiron të bëj më shumë para .

Në ‘shtetin e Ronin’ i cili ka filluar të ngrihet që më 2018 shtrembërimi i procedurave të prokurimit kryhet lehtësisht me anë të ndërmarrjeve shtetërore (NSH) të cilat përdoren si instrument për legjitimimin e korrupsionit. ‘Modeli Kayo’ edhe rrjeti i kompanive të krijuara nën të, nuk është gjë tjetër veçse një variant më i përsosur i vjedhjes që filloi po me Ronin në 2018 me krijimin e AIR Albanias, sot të falimentuar.

Modeli Kayo që po replikohet tek një tjetër kompani tregtare e cila do të zotërojë milionat që menaxhonte AKSHI, apo tek kompania e barnave, janë shembuj ekselent të përdorimit të ndërmarrjeve shtetërore si tuba për të transferuar prona dhe para publike pa procedurë, pa tendera e pa garë, pa kontroll, nën kujdesin e Ramës tek soji i Ronit të cilët e shuajnë etjen për para tek buxheti i shtetit më të varfër në Europë .

Në shtetin e Ronin, Roni qeveris, Rama administron, korrupsioni legjitimon, presioni blen heshtjen. Sa më shumë konsolidohet kjo mënyrë qeverisjeje aq më shumë dëmet janë të pakthyeshme. Besa, Pasqyrat, e Prania Besnike janë thjesht manovra për të maskuar dhimbjet e degradimit .

Për dhëmbët me faceta të Ronit, shteti lipset ti dorëzohet arrë e qëruar. Për këtë nevojitet Ermal Nufi i cili ka ambicie që nga zëvendës sekretar në Kryeministri të bëhet ministër. Ermali e di mirë që Rama promovon vetëm ata që qërojnë dardha, kumbulla, e arra për të edhe për Ronin, ndaj për të kënaqur ambicien nuk heziton të shërbejë duke bërë skeletet e nevojshme në dollap.

Por as ai i vetëm nuk mjafton. Që shteti të drejtohet si kompani private e Ronit me administrator Kryeministrin, duhen që në Kuvend partia socialiste të çojë mercenarë, të gatshëm të certifikojnë çdo ditë ligjet që i shërbejnë vetëm Ronit. Ndaj me kujdes zgjidhen njerëz, që nevoja, ambicia, a ligësia i ka zhveshur nga skrupujt, edhe janë të gatshëm ti ofrojnë opinionin publik kornizën ideologjike që justifikon përdorimin e institucioneve shtetërore për t’i shërbyer interesave të ngushta të Ronit .

Por që Roni jo vetëm të pasurohet, por të duket i zoti edhe i mençur nuk mjafton Taulanti, Ulsiu, Zeqineja , Sara, Zamira, apo edhe Bajram Bega, nevojitet edhe përfshirja e avokatëve, ekspertëve që hartojnë legjislacione ose transaksione që favorizojnë transferimin e burimeve publike në duar e Ronit .

Me pjesëmarrjen aktive të një armate shpirtshitur, shqiptarët e gjejnë veten duke jetuar në një shtet që duket si demokraci në letër, por në realitet funksionon si kartel.

Ky është shteti i Ronit që administrohet nga Kryeministri! bw

“Revolta po lufton qelizën alfa kancerogjene”, Ahmetaj: Nëse Rama e gëlltit protestën, vdiq Shqipëria, fitoi kanceri

Në intervistën në Çim Peka Live’ ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj flet për protestën që ka tejkaluar 100 ditët. Ai e quan gjëja më e bukur në këto 30 e ca vite. Se protesta po lufton qelizën alfa kancerogjene ë qoftë se ky arrin të gëlltisë protestën, vdiq Shqipëria, fitoi kanceri.

 

Pjesë nga intervista

Çim Peka: Jemi në pjesën e tretë dhe të fundit të emisionit. Në fillim desha t’ju pyes për protestën. E shikoni si i jashtëm, jeni i përfshirë apo prisni realisht diçka prej saj?

Arben Ahmetaj: Unë jam aspak i jashtëm dhe jam totalisht i përfshirë, pavarësisht se fizikisht s’jam dot. Jam emocionalisht i përfshirë, jam me gjithë shpirtin tim i përfshirë. Unë jam student i dhjetorit ’90-’91, me kontributin tim shumë modest me qindra e qindra studentë apo intelektualë. Jam student i grevës së urisë dhe të rrëfehem brenda vetes, me tre-katër gjëra që mund të krenohesha, kjo ishte një nga elementët.

Çim Peka: Keni kontakt, keni komunikim me elementë të protestës?

Arben Ahmetaj: Çfarë vlere ka domethënë…

Çim Peka: Po ku jeni i përfshirë? I përfshirë emocionalisht, prisni diçka prej saj?

Arben Ahmetaj: Patjetër, kam një kontakt me një familjarin tim që shkon përditë. Kam kontakt me protestën sepse flas me të, me familjarin tim që shkon në protestë përditë, që ka shkruar dhe thotë: “Kam gjetur shpirtin dhe zemrën”, thotë kur shkon atje. Por nuk ka të bëjë me mua. Ka të bëjë me Shqipërinë.

Protesta, që vazhdon prej tre muajsh, gati 100 ditë në rrugët e Tiranës, po ta them, është gjëja më e bukur që i ka ndodhur shpirtit të Shqipërisë dhe Shqipërisë në tridhjetë e ca vite. Ne sigurisht që mund të numërojmë heqjen e vizave, mund të numërojmë NATO-n, mund të numërojmë suksese të tjera sa të duash, po ky është suksesi më i madh i një shoqërie që rrezikonte të humbiste shpirtin dhe ndërgjegjen shoqërore.

Ata burra dhe gra, vajza dhe djem, që ky i stigmatizon, i përqesh, i quan sorra, i quan çfarë të duash ti, janë pulsi spektakolar i ndërgjegjes së Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Se aty ka nga diaspora, që janë pjesë e aortës së pastër që bën luftë kundër qelizës alfa kancerogjene.

Protesta, unë asnjëherë s’e kam humbur shpresën, dhe ne kemi biseduar, kam thënë shqiptarët do marrin fatin e tyre në dorë. Kjo që i ka ndodhur shqiptarëve me këtë kreun e organizatës është gjëmë e madhe që s’i ka ndodhur as me Esat Pashë Toptanin po deshe ti. Ky po shet Shqipërinë, shokët, çfarë i del përpara, të zgjasë një ditë në karrige. Një ditë në karrige.

Dhe segmentet e drejtësisë e ndihmojnë të bëjë këtë që ka bërë. Deri më sot, se të kishte drejtësi, s’do kishte protestë. Të kishte SPAK, këta mamanë, siç i referohen naivisht ndonjëherë, ndonjëherë edhe juve. Të opozitës… më fal që të drejtohem ty, po flas për opozitën.

Ore, i rroftë Belindit, Gazit, apo qoftë edhe Saliut që më ka rënë në qafë tërë jetën pa të drejtë, që bëjnë ato betejat. Se përtej ka anëtarë të opozitës që kanë bërë edhe mbrëmje poetike me kreun e organizatës. Edhe flasim me fjalë të zgjedhura dhe të buta tani kur flasim.

Protesta i ka dhënë mësim gjithë Shqipërisë dhe opozitës i ka dhënë mësim. Dhe po të them, në qoftë se ky arrin të gëlltisë protestën, nuk ka Shqipëri. U mbyt protesta, të dashur qytetarë, vdiq Shqipëria, fitoi kanceri.

bw

Policia e shtetit e mbron parlamentin nga populli – Frikë nga protestuesit, policia rrethon zonën rreth Parlamentit, vendos gardh metalik

Policia ka marrë masa të shtuara sigurie pranë Parlamentit, në kuadër të protestës së paralajmëruar ne nisje te sesionit te ri parlamentar. 

Zona përreth godinës së Kuvendit është rrethuar me gardh metalik, ndërsa prani e shtuar e forcave të policisë është vënë re në perimetrin rreth institucionit.

Masat e sigurisë vijnë në një moment kur pritet grumbullimi i protestuesve.

Vendosja e barrierave metalike synon të kufizojë afrimin e protestuesve drejt godinës së Parlamentit.

“100 ditë protestë në qendër të Tiranës” Media austriake: Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës!

KURIER

Kundërshtarët e një projekti luksoz pronash të paluajtshme në një zonë të mbrojtur natyrore në Shqipëri kanë protestuar për ditën e 100-të radhazi në qendër të Tiranës. Ata mbanin pankarta me mbishkrime si “Shqipëria nuk është në shitje!” dhe kërkonin me thirrje dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili e mbështet projektin. Vala e protestave drejtohet kundër planit për ndërtimin në pjesë të Lagunës së Nartës, në deltën e lumit Vjosa, nga investitorë amerikanë.

Në krye të projektit është një kompani e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Në gjirin e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit synohet të ndërtohen hotele luksoze, komplekse vilash dhe ambiente argëtimi.

Rrezikohen zonat e shumimit të flamingove

Mbrojtësit e mjedisit druhen se projekti mund të dëmtojë në mënyrë të qëndrueshme ekosistemin delikat të deltës së Vjosës në Adriatik. Këtu përfshihen, ndër të tjera, zona pushimi dhe shumimi për flamingot, çafkat dhe zogj të tjerë. Meqenëse shumë demonstrues vazhdimisht sjellin me vete figura flamingosh të bëra vetë prej kartoni, lëvizja është pagëzuar në media me emrin “Revolucioni i Flamingove”.

Ndërsa në fillimet e protestave në tubime merrnin pjesë mijëra, ndonjëherë edhe dhjetëra mijëra njerëz, të hënën në demonstratë morën pjesë, sipas vlerësimeve, disa qindra deri në një mijë persona, siç shihej në një transmetim video. “Qëndrueshmëria nuk matet me numra, por me rezistencën”, thirri njëri prej folësve para turmës.

Ende nuk ka leje ndërtimi

Sipas hulumtimeve të mediave shqiptare, për ndërtimin e resortit ende nuk është dhënë leje ndërtimi. Autoriteti përgjegjës deri tani i ka dhënë investitorit vetëm lejen për të rrethuar truallin ku do të ndërtohet në të ardhmen dhe për të krijuar rrugë hyrëse brenda zonës.

Në fakt, në fund të prillit nisën punimet e para për rrethimin e zonës. Më 30 maj ndodhi protesta e parë – ende e vogël në përmasa – në atë kohë pranë rrethimit të kantierit në Zvërnec. Sulmi fizik i punonjësve të sigurisë së një kompanie private ndaj një demonstruesi shkaktoi më pas valën e protestave që vazhdon deri më sot. bw


Send this to a friend