Gruaja që dyshohet se u vra nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës, Arlinda Zekaj, më 25.10.2026, pretendohet se e kishte dorëzuar një letër tre ditë para vrasjes së saj në Prokurori Themelore të Pejës.
Në letrën që tashmë po qarkullon në rrjete sociale, Zekaj i ishte drejtuar kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, duke i kërkuar urgjentisht marrjen e masave ndaj zyrtarëve që sipas saj kishin dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave.
“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësitë te njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë. Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhërit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja [Qendra për Punë Sociale].” – kishte shkruar në letër Zekaj, më 22.10.2026.
Zekaj madje kishte paralajmëruar se kjo ishte shkresa e saj e fundit.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gjendja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri! E dhimbshme deri në asht!!” – ka theksuar tashmë e ndjera.
Letra e Arlinda Zekajt, Foto: Vlora Çitaku/Facebook
KALLXO.com raportoi për këtë rast në të cilin i dyshuari ende ndodhet në arrati.
Policia bëri të ditur se viktima, rreth orës 19:00 të së dielës, më 25.10.2026, kishte paraqitur një rast të dhunës në familje në Stacionin Policor në Pejë.
Siç njoftoi Policia, viktima është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar, e më pas është dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Sipas Policisë, ajo ishte kthyer në shtëpi me vullnetin e saj.
Organet e rendit kanë deklaruar se, pas raportimit për dhunë në familje, burri i viktimës ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Rreth orës 21:10, pasi viktima ishte kthyer në shtëpi, Policia ka marrë informatën se ajo ishte vrarë.
Bazuar në të dhënat fillestare, Policia deklaron se dyshohet që vdekja e saj të ketë ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili gjithashtu ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe lokalizimin e arrestimin e personit të dyshuar”- ka deklaruar Policia.