VOAL

VOAL

Dëshmia: Mark Çunin e lidhën me duar mbrapa dhe shefi i Degës në mënyrë shtazarake e qëllonte me grushte e shkelma stomakut

November 24, 2022
blank

Komentet

blank

“Il Giornale d’Italia” më 2 prill 1913: “Betejat diplomatike që iu desh të zhvillonte, për Ismail Qemalin do të kishte qenë më e lehtë ta kthente Evropën përmbys…”

Nga Alban Trungu
– Intervistë me z. Darling Vlora, për Ismail Qemalin, themeluesin e shtetit shqiptar –
24 janari është përvjetori i 167-të i lindjes së Ismail Qemalit që përkon edhe përvjetorin e 92-të të vdekjes së tij. Për të kujtuar figurën që udhëhoqi Rilindjen Kombëtare në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe kontributin e tij të paçmuar për kombin shqiptar, intervistuam Darling Vlorën, një prej stërnipave të tij. Darling Vlora jeton në Itali dhe ka organizuar dy ekspozita fotografike për Ismail Qemalin. Të parën në vitin 2009 në ambientet e shtëpisë së tij me rastin e 165 vjetorit të lindjes së Qemalit dhe, të dytën në Parma në nëntor të 2010-tës në bashkëpunim me Shoqatën Scanderbeg.

Kush është Ismail Qemali për Darling Vlorën?
Ismail Qemali, emri i plotë Ismail Qemal bej Vlora, është paraardhësi im. Gjyshi im, Qamil bej Vlora (babai i babait tim) ishte njëri nga djemtë e Ismail Qemalit. Pra, në vijë mashkullore, jam stërnip i tij.

blank

 

Ç’rol ka Ismail Qemali në historinë e shtetit shqiptar?
Në këtë rast më vjen në kujtesë një shprehje e Roberto Cotroneo-s për artistin e madh gjenovez Fabrizio De André: “L’architeto De André si serviva degli ingegneri perchè i conti tornassero, ma il disegno era suo”. Ismail Qemali është arkitekti i Pavarësisë Shqiptare; është Babai i Kombit dhe Themeluesi i shtetit shqiptar. Ky nuk është mendimi im, ky është mendimi i vet popullit, mendimi i atyre që e kanë njohur; mendimi i patriotëve shqiptarë që ju përgjigjën thirrjes së tij duke e mbështetur në veprën e madhe kombëtare.

Dhimitër Zografi, një ndër delegatët e Kuvendit të Vlorës, i cili e shoqëroi Ismail Qemalin nga Trieste deri në Vlorë dhe, bashkë me delegatët e tjerë nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, shkruan: “Ç’ka bërë Ismail Qemali për Shqipërinë, ç’nder i do bërë dhe ku duhet ngritur emri i tij, atë mund ta gjykojë vetëm ai njeri që di dhe pa veprat e tij”. Qazim Kokoshi, një tjetër firmë në Aktin e Pavarësisë, më 12 shkurt 1919, përpara trupit pa jetë të Ismail Qemalit, Babait të Kombit, siç e quante ai, do i drejtohej popullit të pranishëm: “Juve që qetë në vitin 1912, o atdhetarë të dashur, juve jini edhe sot, më 28 të vjeshtës së tretë t’atij viti patë, bëtë dhe gëzuatë, patë luftën ballkanike me rrezik për ju, bëtë përpjekje të shpëtoni tokën t’uaj dhe u gëzuatë me fitimin e plotësimin e idealit. Ju, pra, jeni një histori e gjallë e Shqipërisë së re, por krijonjësi dhe heroi i parë i kësaj historie është Ismail Qemali”.

blank

 

Ferit Vokopola, një tjetër firmë në Aktin e Pavarësisë do shkruante në 100-vjetorin e lindjes së Ismail Qemalit: “Ismail Qemali, si biri i vetëm i Shqipërisë, rrëmbeu Flamurin, dolli në ballkon dhe e ngriti me dorën e vet, duke iu drejtuar popullit me fjalën e madhe patriotike, me të cilën i bëri të ditur Shqipërisë dhe Botës mbarë se në këtë çast vendimtar, nën radhët e Mbretërive të Mëdha e të vogla shtohej dhe një shtet i ri, që populli i vetë ishte një nga trashëgimtarët më të vjetër të Ballkanit. Atë unë e njoha dhe e pashë nër këto çaste vendimtare, shumë më të ndryshuar se herë të tjera… Ishte më parë një Yll e tani një Diell i botës shqiptare; ishte më parë një Luftëtar i Lirisë, një shërbëtor besnik i Kombit e tani një shpëtimtarë i Popullit”. Ky është Ismail Qemali vetëm në mendimet e tre prej firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, për mos u ndalur gjatë edhe në citimet e nënshkruesve të tjerë si Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Rexhep Mitrovica, etj. Të gjithë ata që ishin aty, të gjithë ata që nënshkruan Aktin e Pavarësisë shqiptare e njohën dhe e quajtën Babai i Kombit.

blank

 

Ismail Qemali ka qenë në shërbim të Perandorisë osmane për 50 vjet. Gjithashtu është një ndër liberalët e parë osmanë dhe në 1909 edhe themelues e Kryetar i Partisë Liberale. Edhe angazhimi i tij në forzat reformatore të Perandorisë është më i hershëm sesa ai në Rilindjen Kombëtare. Ç’e shtynte Ismail Qemalin të ishte liberal: autonomia më e madhe për vilajetet shqiptare apo ndërgjegjja e tij si shtetar osman?

blank

 

Kohët e fundit e kam ndeshur si një farë kritike faktin që Ismail Qemali i shërbeu Perandorisë Osmane. Ky këndvështrim, jo vetëm për mendimin tim, është krejtësisht i gabuar. Shërbimi i tij në Perandorinë Osmane përkon pikërisht në një kohë kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë ndaj ai nuk i shërbeu asaj por vendit të tij. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij në administratën shtetërore Ismail Qemali u shqua si njeri me ide liberale dhe reformatore. Ai hyri në administratë në moshën 16-vjeçare, kur kjo drejtohej nga burra të shquar e përparimtar si Mit’hat Pasha, Fuad Pasha e Ali Pasha. Megjithatë veprimtaria e tij duhet parë gjithmonë paralel dhe e lidhur ngushtë me përpjekjet e tij në dobi të Shqipërisë. Që në vitin 1864 atë e gjejmë në mbledhjet e organizuara në Stamboll për të formuar një shoqëri kulturore kombëtare për hapjen e shkollave shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare.

blank

 

Si njeri largpamës Ismail Qemali, gjë që e ka deklaruar gjithmonë, ishte i bindur se me forcimin e Perandorisë i shërbente edhe vendit të tij. Ai bashkëpunoi me Mit’hat Pashën në hartimin e Kushtetutës së parë osmane, shpallur më 1876. Artikulli 108 i saj pranonte që «administrata e krahinave do të kishte si themel parimin e decentralizimit». Një nga idetë e Mit’hat Pashës, sigurisht me sugjerim të Ismail Qemalit, ishte krijimi i një Vilajeti shqiptar. Dhe, siç shihet, jemi dy vjet përpara Lidhjes së Prizrenit dhe gati 40 vjet përpara Pavarësisë. Fatkeqësisht Mit’hat Pasha u arrestua; Kushtetuta mbeti e pazbatuar deri më 1908 dhe vetë Ismail Qemali u internua. Pasi u lejua të kthehej në Stamboll, duke parë qëndrimin e pandryshuar të Sulltanit, Ismail Qemali vendosi të largohej përfundimisht nga Turqia, veprim që e kreu më 1900, duke iu kushtuar më pas tërësisht çështjes kombëtare shqiptare. Në letrën që i drejtonte Sulltanit, nga bordi i anijes angleze që do ta nxirrte në Europë shkruante: «Krimi im ndaj atdheut është dashuria ndaj tij».

blank

 

Sami Frashëri ose Semsedin Sami, konsiderohet nga historiografitë shqiptare e turke si nja nga themeluesit e nazionalismave të këtyre dy kombeve. Si shihet Ismail Qemali nga historiografia turke?

blank

 

Siç del edhe vetë në pyetjen tuaj, pjesa më e madhe (për mos thënë gati të gjithë) e rilindasve tanë, kush më shumë e kush më pak, shërbyen në administratën shtetërore turke por pa harruar asnjëherë vendlindjen e tyre. Ashtu si edhe Sami Frashëri, i cili me punën e tij i shërbeu dijes dhe kulturës së mbarë kombësive që jetonin në Perandorinë Osmane, edhe Ismail Qemali, kudo që shërbeu, u dallua si mbështetës i dijes dhe përparimit. Akoma edhe sot, nëpër vendet ku ai mbuloi postin e guvernatorit, kujtohet me respekt për veprat e tij, në hapjen e shkollave, kundër diskriminimit racor e fetar, etj. Po ashtu ai kujtohet me respekt si një figurë liberale, ndër të parët liberal të Perandorisë. Së fundi «Kujtimet» e tij janë botuar edhe në gjuhën turke, përveç një punimi me disa fjalime të tij në Parlament që është botuar shumë vite më parë.

Në dallim nga figura të tjera, duket sikur Ismail Qemali është shumë aktiv në Rilindjen Kombëtarë sidomos në vitet që paraprijnë Revolucionin e Xhonturqve. Si mund të shpjegohet kjo “vonesë”?

E drejtë. Duket sikur është aktiv në lëvizjen kombëtare më tepër në prag të Revolucionit, por nuk është ashtu. Gjithë veprimtaria e Ismail Qemalit është e lidhur ngushtë me origjinën e tij, me atdhedashurinë, me historinë e vendit dhe familjes së tij. Ishin këto faktorë që, bashkë me inteligjencën dhe përgatitjen e tij të rrallë, krijuan burrin e shtetit liberal i cili, ashtu siç e ka deklaruar gjithmonë, kërkonte që nëpërmjet forcimit të Perandorisë t’i shërbente gjithë kombësive që bënin pjesë në të, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, pra ai dilte përtej përmasave kombëtare.

Por, nëse kemi një “ritardo” të tij në lëvizjen kombëtare shqiptare të para 1900-ës nuk duhet të harrojmë edhe faktin se ai ishte i internuar për 7 vjet rresht (1877-1884) dhe më pas, ashtu siç ka qenë edhe mendimi i historianëve si Luarasi, Xoxi, Naska, etj, ai u mbajt nga Sulltani qëllimisht larg Stambollit, pikërisht për të qenë larg veprimtarive kombëtare.

Në ekspozitën e fundit që ke organizuar në Parma mbi Ismail Qemalin, në bashkëpunim me Shoqatën Scanderbeg, më bëri përshtypjen një foto e 1908-ës, kur Qemali kthehet në Shqipëri e zgjidhet deputet në Parlamentin osman. Karroca e tij mbahet në krahë nga vlonjatët nga moli në qendër të qytetit. E donim kaq shumë në Vlorë?

Ismail Qemali kishte lindur në Vlorë ku familja e tij drejtonte Sanxhakun e vlorës që nga viti 1480. Pavarësisht se ai ishte larguar i ri nga Vlora asnjëherë nuk i kishte ndërprerë lidhjet me vendlindjen. Të gjithë shqiptarët që shkonin në Stamboll, gjenin gjithmonë mbështetjen e tij. Ai konsiderohej si përfaqësuesi më i shquar i familjes Vlora. Menjëherë pas shpalljes së kushtetutës populli i Vlorës, me anë të një telegrami, iu lut të kthehej në vendlindje. Ardhja e tij u kthye në një manifestim popullor. Një delegacion prej 39 vetave kishin shkuar ta prisnin në Korfuz. Në skelë kishte dalë ta priste gjithë populli i Vlorës. U mbajtën fjalime të ndryshme patriotike në nderim të tij; u zbrazën të shtëna topi, si në skelë ashtu edhe në qytet. Për të shprehur dashurinë dhe respektin e madh, që populli ushqente për birin e tij, karrocës së ismail Qemalit i hoqën kuajt dhe e morën në krahë përgjatë gjithë rrugës prej afro 2 km, deri në qendër të qytetit.

Në kujtesën e familjes Vlora, shqiptarët e fituan pavarësinë apo kjo ishte rezultat i politikës së ‘800-ës e cila bazohej në ekuilibrin midis fuqive të mëdha dhe kompensimin e fituesve?

Për mendimin tim, njëkohësisht bazuar edhe në “Kujtimet” e Ismail Qemalit dhe vlorajve të tjerë, shqiptarët e fituan dhe merituan krejtësisht Pavarësinë. 28 nëntori 1912 ishte kurorëzimi i luftërave shekullore të popullit tonë. Ata që hera herës e paraqesin Pavarësinë si një «dhuratë» të politikës europiane apo një zgjidhje të saj, nuk bëjnë gjë tjetër veçse denigrojnë veprën dhe sakrificat e patriotëve tanë dhe përpjekjet shekullore të shqiptarëve për pavarësi. Sigurisht gjatë Luftës I-rë Ballkanike, kur shqiptarët Shpallën Pavarësinë, ekzistonin kontradikta midis Fuqive të Mëdha të kohës të cilat, për të ruajtur ekuilibrin e tyre menduan jo të krijojnë por të mbështesin Pavarësinë e Shqipërisë. Pra këtu është një diferencë e madhe.

Ismail Qemali, gjatë lëvizjeve të tij në kryeqytetet europiane (tetor-nëntor 1912) në mbrojtje të çështjes kombëtare, arriti t’i bindë Fuqitë e Mëdha të mbështesnin aksionin e shqiptarëve dhe përfitimi që ai nxori nga kontradiktat dhe interesat e Fuqive duhet konsideruar padyshim si një arritje gjeniale. Pra a s’është edhe kjo një fitore më vete?

Pa dyshim që pavarësia e shqiptarëve ishte edhe në interes të vetë Europës. Në 2 prill 1913, në një artikull të gjatë në faqe të parë të prestigjiozes «Il giornale d’Italia», gazetari italian Benedetti shkruan: “Kauza e paqes i detyrohet shumë këtij njeriu që pati detyrën historike më të vështirë në betejat diplomatike më të cilën iu desh të përballej. Do kish qenë më e lehtë për të, të zhbënte Europën”.

Ismail Qemali udhëtonte shpesh në Itali. Që në fillim të 1900-ës, disa të përditshme italiane I dedikuan faqen e parë. Cilat ishin lidhjet e tij me Italinë?

Ismail Qemali udhëtonte shpesh në Itali, shpeshherë duke qëndruar gjatë nëpër qytetet italiane si Roma, Milano, Napoli, San Remo, etj. dhe kishte krijuar lidhje personale me mjaft personalitete italiane të kohës, midis të cilëve Markezin San Giuliano i cili më pas, pikërisht në prag dhe gjatë viteve të para të pavarësisë, ishte Ministër i Jashtëm i Italisë. Idetë e Ismail Qemalit, si në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë si në lidhje me raportet italo-shqiptare, dalin qartë në intervista të ndryshme që ai ka lëshuar në shtypin italian, shumë herë publikuar nga periodikë prestigjioz dhe në faqet e para të tyre. Pavarësisht se lidhjet dhe miqësitë më të forta ai i kishte me burrat e shtetit anglez, përsa i përket të ardhmes së Shqipërisë ai kërkoi që të gjente mbështetjen kryesore tek Italia. Deri në fund të jetës Ismail Qemali shpresoj tek ndihma e sinqertë italiane dhe bëri të pamundurën që të tërhiqte vëmendjen si të qeverisë ashtu edhe të industrialistëve italianë për të bashkëpunuar me Shqipërinë.

Çfarë shkruanin gazetat italiane për Ismail Qemalin?

Ka artikuj të shumtë të shkruar në vite të ndryshme. Për shembull, menjëherë pas pavarësisë së Shqipërisë, e përditshmja “La Stampa” në faqe të dytë shkruan kështu:

“Në pritje të ngjarjeve që pashmangshmërisht do të ndjekin shpalljen e pavarësisë shqiptare, kurioziteti përqendrohet tek njeriu që është vënë në krye të lëvizjes që arriti qëllimin e saj, Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemalin.

Ismail Qemali nuk është i panjohur në Europë e sidomos në Itali. Dashurinë për vendlindjen e tij e pagoi me persekutimet nga ana e Abdul Hamitit dhe më pas me internimin. Revolucioni i Xhonturqve e nxori nga vendqëndrimi i tij në Paris. Ai besoi në një shndërrim të Turqisë në një Konfederatë kombësish me të drejta të barabarta si Zvicra apo Austria. Historia e tre viteve te fundit, i dha te drejtë Ismail Qemalit. Por, para se vërehej shpërbërja e Turqisë, duke parashikuar fatin e rrezikuar të vendit të tij, vrapoi ne Romë e Vienë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, më pas shkoi në Durrës e Vlorë, ku Kuvendi i shqiptarëve e zgjodhi Kryetar të Qeverisë së Përkohshme.

Ismail Qemali është një plak simpatik, i gjatë, i kuq në fytyrë, me sy të çelët e të gjallë e me mjekër të bardhë. Figurë e shquar, vishet alla europiançe, kryesisht me një “redingote” të pakapshme. Mendje e ndritur, flet rrjedhshëm 5 gjuhë, kupton italisht por e flet me pak vështirësi. Është i informuar për çështjet ndërkombëtare dhe njeh personalisht politikanët europianë kryesore”.

Italia është vendi ku Ismail Qemali vdiq në 24 janar 1919, siç thuhet “në rrethana jo të qarta”. Pse gjendej në atë periudhë në Shqipëri e mund të ketë pasur një komplot kundër tij?

Saktësisht Ismail Qemali erdhi në Itali, nga Genova, më 9 dhjetor 1918 dhe mbylli jetën pikërisht në qytetin e Peruxhias, më 24 janar 1919.

Në përfundim të Luftës I-rë Botërore çështja e kufijve të Shqipërisë sigurisht do të shqyrtohej përsëri. Interesat e Italisë kishin qenë dhe ishin akoma të mëdha në lidhje me çështjen shqiptare ndaj, për të bashkërenduar veprimet qeveria italiane e ftoj Ismail Qemalin në Romë. Në atë kohë ai ndodhej në Spanjë dhe ishte zgjedhur nga shqiptarët e Amerikës si përfaqësues i tyre në Europë, në mbrojtje të çështjes kombëtare.

Më 23 janar 1919 ndërsa priste në Peruxhia, Ismail Qemali pësoi një hemorragji cerebrale dhe me gjithë kurimet e mundshme vdiq më 24 janar. Ka patur mendime të ndryshme mbi vdekjen e tij, e cila përkoi në një moment mjaft delikat për çështjen kombëtare dhe kur ndihma që pritej prej tij ishte e mjaft e rëndësishme. Sigurisht, si përfaqësues i çështjes kombëtare ai kishte edhe armiq, armiq të betuar të Shqipërisë, ndaj ekziston mundësia që të ketë patur edhe një komplot ndaj tij pikërisht nga qarqet antikombëtare.

Një fakt tjetër që bën përshtypje është prishja e varrezës së Vlorajve nga regjimi komunist. Në ç’vit ndodhi e përse?

Që nga viti 1500, kur pranë kalasë së Kaninës u varros Sinan Pasha, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane, njohur edhe si themeluesi i Familjes Vlora, edhe pjesëtarët e tjerë të familjes u varrosën gjithmonë aty duke u kthyer pak nga pak, në një varrezë madhështore familjare. Në të, midis shumë familjarëve të shquar, ishte edhe varri i një tjetër Veziri të Madh të Perandorisë, Ferid Pasha Vlora. Urrejtja e komunistëve ndaj familjeve të mëdha nuk njihte kufij ndaj, për të zhdukur çdo shenjë të mundshme, ata shkatërruan edhe varrezat e vlorajve, në vitet e para të “çlirimit”. Aty nga viti 1980 hapën edhe arkivolin e Ferid Pashait dhe trupin e tij të balsamosur, gati 70 vjet pas vdekjes, e hodhën në ferrat e varrezave të fshatit. Sot aty, përveç vend varrimit të Sinan Pashait, nuk ka mbetur asgjë dhe ajo madhështi ekziston vetëm nëpër foto për të dëshmuar krimin dhe shkatërrimin komunist.

Ndoshta ke qenë i pari që ka bërë një ekspozitë fotografike për Ismail Qemalin si në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj. Bile të parën e ekpozove në ambientet e shtëpisë tënde në Sirtori me rastin e 165 vjetorit të lindjes që përkon edhe me 90 vjetorin e vdekjes. Duket sikur kujtesa historike e një burri shteti si Ismail Qemali në Shqipëri konsiderohet çështje familjare. Është kështu?

Është e vërtetë që kam qenë i pari që i kam kushtuar ekspozitë fotografike krejtësisht Ismail Qemalit. Herën e parë e organizova në ambientet e shtëpisë ku banoj. Ishte më tepër një pritje private, ku midis miqve të ftuar ishte edhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Milano, Spartak Topollaj. Më pas, me mbështetjen e shoqatës “Scanderbeg” Parma, gjatë javës së kulturës shqiptare, që përkoi me Festën e Flamurit, organizuam një tjetër ekspozitë ku paraqita disa foto dhe artikuj nga shtypi italian mbi jetën dhe veprën e Ismail Qemalit. Unë nuk mendoj që “kujtesa historike” e një burri shteti, e aq më tepër e Ismail Qemalit, të mbetet apo kthehet një çështje familjare. Herë pas here, si kudo dhe ngado, ka momente antikombëtare, denigruese, indiferentizmi, etj., por janë gjithmonë momente kalimtare. Në kujtesën kombëtare emri dhe figura e Ismail Qemalit është ngulitur thellë, sepse emri i tij është i lidhur përjetësisht me Veprën e madhe kombëtare, Shpalljen e Pavarësisë, ndaj populli, ai që të pavdekëson, i ka thurur vargjet lapidar: “Unë jam Smail Qemali/ prapa më vjen Historia”.

Padyshim që është detyra e historianëve të shkruajnë historinë e vendit dhe figurave kombëtare dhe, në këtë rast, detyrë e familjarëve për t’i ndihmuar ata. Por, kur historianët bëjnë politikë, shkruajnë historinë në shërbim të saj ose heshtin (dhe ky fenomen fatkeqësisht ka ndodhur, ndodh dhe ka për të ndodhur) atëherë detyra e trashëgimtarëve është që ta tregojnë ata historinë e paraardhësve të tyre. Në këtë rast unë kam dhënë kontributin tim, aq sa kam mundur dhe do përpiqem ta jap edhe më pas. Pavarësisht nga prejardhja, për të cilën sigurisht që ndjehem krenar, figurën e Ismail Qemalit unë tashmë nuk e shikoj më të lidhur me aspektin familjar. Sigurisht lidhja familjare është një motiv më tepër që më shtyn të kontribuoj për të hedhur dritë akoma më shumë mbi veprën e tij por unë tashmë atë e shikoj krejtësisht si një figurë historike të cilën, ashtu si edhe figura të tjera të shquara kombëtare, brezi i sotëm e brezat në vazhdim duhet ti njohin sa më shumë për t’i patur si pika referimi sot e në të ardhmen.

Kush është objektivi i ardhshëm në angazhimin tënd për të “vënë në vend” kujtesën historike të Ismail Qemalit?

Pas vizitës që bëra në Kosovë, në tetor të vitit të kaluar, në bashkëpunim me prof.dr. Eqrem Zenelaj, shqiptar nga Kosova, i cili pas kërkimeve që ka bërë nëpër arkivat austriake ka gjetur mjaft dokumenta interesante dhe të rëndësishme, pjesa dërmuese të panjohura, mbi familjen Vlora, kemi në projekt një punim mbi gjenealogjinë dhe historinë e Familjes Vlora. Pra do jetë një punim që do hedh dritë jo vetëm për veprën e Ismail Qemalit por edhe mbi shumë personalitete të tjera të kësaj familje të cilët i dhanë nder e lavdi kombit tonë, histori, deri më sot, e lënë krejtësisht në harresë./Memorie.al/

blank

110 VJET – Nga Fritz RADOVANI

AT GJERGJ FISHTA O.F.M.

blank

HYMNI I FLAMURIT KOMBTAR

Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit
Po rrehë Flamuri i Shqypnis,
E thrret t’ bijt e Kastrijotit
Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.
Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,
Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,
Atje lufta ndezet zhari,
Atje anmiku vehet m’ t’ leta.
Bini, Toskë!…

Mbi njatë Flamur Perendija
Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:
“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;
Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”
Bini, Toskë!…

Shka? A thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,
Qi vetë Zoti na ka dhanun,
Sod me e shkelë kamba e poshtnueme
E nji t’ huej’t na kem m’ i a lanun?
Bini, Toskë!…

Ah; jo, kurr. Njiqind herë para
Kem’ me u shkri me gra, me fmi!
Kem’ me mbetë kortarë nder ara,
Se me shkelë lamë t’ huej’n n’ Shqypni.
Bini, Toskë!…

M’ kambë, Sokola të Shqypnis!
Flamri ynë, qé, n’ ajr po shtiellet
Si pol veshet t’ Perendis,
Kah na ban hije prej qiellet.
Bini, Toskë!…
Ma mirë dekë me u shue nen hije
T’ Flamrit t’onë në fushë t’ mejdanit,
Se me rrnue nji jetë robnije
Per nen sukuj t’ huejë t’ Balkanit.
Bini, Toskë!…

Armët e Besen na i njeh bota;
Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,
Luften né na e msoi Kastrjota:
Kè, thue, frigë do t’ kenë Shqyptarët?!
Bini, Toskë!…

Urra! Djelm, eh ‘u u dhashtë e mbara!
Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!
Flamri i ynë, qé, u nis perpara:
Ndimo, Zot, per Atmè e Fé!
Bini, Toskë!…

Hartimi i këtij Hymni asht ndoshta momenti ma i lumnueshem e ma guximtari për Poetin Kombtar. Malazezët mbas shtatë muejsh rrethim kishin hi në Shkoder. Megjithse këtyne iu desht me dalë, Fuqitë nderkombtare nuk
e ngritën Flamurin e Shqypnisë. Ishte nata e së kremtes së Shna’ Ndout,
12 Qershor 1913. Po mbushej gati moji që Fuqitë nderkombtare kishin marrë sundimin e qytetit (me 14 Maji). At Fishta , këshillue me disa bashkëvllazen
të vet, kishte vendosë me ngritë Flamurin e Shqypnisë, e në ketë entuzjazem kishte hartue edhe Hymnin, qi u kjé mësue njiheri fëmijvet të shkollës françeskane. Ndersa, pra, prej kumbonarjet të Kishës së Françeskanve të Gjuhadolit valvitej Flamuri ma i madh se katër metrash, fëmija me njiherë,
si u patne porositë perpara u shpërndanë çeta-çeta nepër rrugët e qytetit
tue këndue: “Porsi fleta…”.
Menjiherë erdh urdhni prej sundimtarit të qytetit, Kolonel De Philipps, qi t’a ulshin Flamurin, por Françeskanët nuk iu pergjegjën kurrsesi urdhnit të tij.
Ata kercnuen se do t’a zbresin Flamurin me topa!…
At Fishta ju pergjegjë: “Do t’ ishte nderimi ma i madh me u gjuejtë me topa
Flamuri ynë kombtar!”
***
1.Porsi fleta…Krahasim i bukur, plot dashuni e nderim! Gjithë sa herë Poetit i bjen me folë për gjuhë, kombsi, emblemë ka për të perdorë shprehje gati të mbinatyrshme. –rreh, valon, valvitet.
(Për këto shenime jam bazue tek komenti i At Viktor Volaj “Lirika”, në original. F.R.)
2. A ngallnjyesë…deshmorë: në vend të vargut të perparshëm, Bini, Lekë, bini Malcorë, asht koha e njizetepesë vjetorit, kur u diskutue çeshtja e Flamurit kombtar, i vumë ky me qellim me zhdukë çdo regionalizem në trojet tona.
3. Ndezet zhari,…merr flakë, digjet; – vehet n’t’lehta, ikë shpejt, (kambët e lehta e faqja e bardhë)… 4.Poeti ngulmon mbi të drejten qi ka Shqiptari për Liri dhe Demokraci. 5…kamba e t’huejt…Po na…
6.Me u shkri: me u shue. – Kortarë kortarë: kemi m’u ba copë e grima përpara, kurma kurma ashtu si pritet peshku ….Krahasime të cilat tregojnë pasuninë e gjuhës së Poetit.
7. Sokola: Perdorë gati gjithmonë në vështrimin metaforik për trima. – shtiellet: valon, valvitet. – Si pol veshet Perendis, tue përdorë nji gjuhë antropomorfike, Fishta e krahason Flamrin e Shqypnisë, si mos t’ishte mjaft fleta e Engjullit, po, edhe me petkun e Perendisë.
8. me u shue, me u shkimë, me mbarue, me dalë farët. – rrnue nji jetë, nji shembull akusativit të mbrendshem (lat. Aetatem vivere). – Per nen sukuj t’huej t’Balkanit: nen flamuj t’huej…. quejt në të përbuzun zhele, lvere, të popujve të huej të Balkanit, qi piksynojnë me marrë tokat t’ona padrejtsisht.
9. Trima n’zâ: Perballë kalimit të sa popujve nepër tokat t’ona, të Parët tonë kanë qindrue, tue mos i lanë me na përpi, me na zhdukë. Edhe pse Romakët patën shtrue Ilirinë, ishin Ilirët ata qi ia ngjiten dorën Romës së ligshtueme, tue marrë frenjtë e sundimit në dorë e tue i prij legjoneve për 150 vjet, – Kastrjota: Per një të katërt shekulli, Skenderbegu kjé Ai qi ndër të tana luftat i bani ballë anmikut Lindor t’Evropës në Kohën e Mesjetës, tue mos e lanë me ngulë kambë n’Atdhéun tonë.
Trimnia e Tij u ba legjendare menjiherë si mbrenda Atdheut tonë ashtu edhe jashtë ndër të huej.

“Një Festë e Perjetëshme per Shqiptarë në gjithë Boten!” F. Radovani.
Melbourne, 28 Nandor 2022.

blank

KONGRESI I DREJTSHKRIMIT – REZOLUTA

 

Me nismën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës (USHT) nga data 20 nëntor deri në 25 nëntor të vitit 1972Tiranë zhvilloi punimet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Në Kongres u përfaqësuan gjerësisht forcat e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Aty ishin të pranishëm 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi si dhe arbëreshë nga Italia.[1]

Shiko listën e plotë të delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972).

Tematika kryesore e bisedimeve

Synimi i mbledhjes së Kongresit ishte përcaktimi i parimeve dhe drejtimeve kryesore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar kombëtare. Ky Kongres, si forumi më i lartë shkencor, analizoi e diskutoi gjerësisht parimet themelore, çështjet e përgjithshme dhe shumë zgjidhje të veçanta të drejtshkrimit të shqipes, si edhe probleme të tjera teorike e praktike, që kanë të bëjnë me normën letrare në përgjithësi.

Parimet e përgjithshme

Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe është shprehje e kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore. Ai pasqyron gjendjen e sotme dhe prirjet e përgjithshme të zhvillimit të gjuhës sonë letrare, e cila mbështetet gjerësisht në gjuhën e folur të popullit. Duke ngritur në një shkallë më të lartë traditën e shkrimit të shqipes, drejtshkrimi i sotëm synon njësimin e mëtejshëm të normës së gjuhës letrare kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta që janë përvetësuar e përvetësohen prej saj.[2]

Parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonetik: në përgjithësi fjalët dhe pjesët e tyre të kuptimshme shkruhen ashtu siç shqiptohen në ligjërimin letrar. Thelbi i parimit fonetik në drejtshkrimin e shqipes, që mbështetet në një sistem grafik ku ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis shkronjës dhe tingullit-fonemë, është aspekti fonologjik, domethënë përdorimi social i tingujve të gjuhës në procesin e marrëdhënieve midis njerëzve. Parimi fonetik synon vendosjen e një lidhjeje sa më të ngushtë midis trajtës së shkruar dhe trajtës së folur të gjuhës letrare. Prandaj, kur në shqiptimin letrar ka variante të lejuara nga norma e sotme, drejtshkrimi mbështetet tek ajo trajtë që është më e përgjithshme dhe që pajtohet me prirjen e zhvillimit të sistemit fonetik të shqipes letrare.

Krahas parimit fonetik, drejtshkrimi i njësuar i shqipes mbështetet gjerësisht edhe në parimin morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore të shkaktuara prej ligjeve fonetike që veprojnë sot në gjuhën tonë. Parimi morfologjik zbatohet kryesisht në ato raste, kur zbatimi i veçuar i parimit fonetik do të çonte në errësimin a në prishjen e strukturës morfologjike e fjalëformuese të fjalëve; ai ndihmon kështu për ta ruajtur sa më të qartë në shkrim këtë strukturë, si edhe njësinë e trajtave. Duke pasur si bazë analogjitë morfologjike, parimi morfologjik lejon rrafshimin e thjeshtimin sa më të madh të rregullave drejtshkrimore të shqipes dhe ndihmon që këto rregulla të pasqyrojnë në mënyrë sa më organike zhvillimin e bashkëlidhur të strukturës fonetike, morfologjike e fjalëformuese të gjuhës sonë letrare kombëtare.

Gërshetimi i parimit fonetik me parimin morfologjik në drejtshkrimin e shqipes plotësohet edhe nga zbatimi i disa parimeve të tjera, siç janë parimi leksikor-kuptimor, ai historik-tradicional etj. Fushat e zbatimit të këtyre parimeve janë më të ngushta dhe përfshijnë anë të veçanta të drejtshkrimit.

Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe kurorëzon një etapë të gjatë përpjekjesh për formimin e një gjuhe letrare të vetme e të përbashkët për gjithë popullin shqiptar dhe çel rrugën për ta përmirësuar më tej normën drejtshkrimore të kësaj gjuhe në pajtim me zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës e të kulturës sonë kombëtare.

Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Zhvillimi i vrullshëm e cilësor i kulturës, i letërsisë dhe i shkencës mbi bazën e shndërrimeve të thella historike ekonomiko-shoqërore, që janë kryer në Shqipërinë socialiste e që kanë sjellë ndryshime të thella edhe në vetëdijen gjuhësore të popullit tonë, i ka dhënë një shtytje të fuqishme e të pandërprerë njësimit të gjuhës letrare kombëtare shqipe, themelet e së cilës janë hedhur që në kohën e Rilindjes.

Masat e gjera popullore, në kundërshtim me pikëpamjet e ngushta lokaliste, kanë luftuar për një gjuhë letrare të njësuar dhe kanë përkrahur me dashuri çdo përpjekje që i ka shërbyer këtij qëllimi. Duke përmbushur gjithnjë më mirë kërkesat e shumëanshme të të gjitha fushave të veprimtarisë shoqërore, gjuha letrare shqipe ka arritur një shkallë të tillë zhvillimi, që na lejon të pohojmë shkencërisht, se populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar, norma kombëtare e së cilës është kristalizuar në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore e në disa hallka të veçanta ndodhet në fazën e fundit të kristalizimit. Kjo gjuhë letrare përdoret sot pothuajse nga të gjithë shqiptarët brenda e jashtë Republikës Popullore të Shqipërisë dhe është bërë modeli i normës gjuhësore të përbashkët për të gjithë ata që shkruajnë shqip.

Pas vendimeve të Konsultës Shkencore të Prishtinës (1968), si rezultat i zhvillimit kulturor të shqiptarëve dhe i përpjekjeve të vetëdijshme të punonjësve të kulturës, të arsimit dhe të shkencës, kjo gjuhë letrare e njësuar po përdoret pothuajse pa përjashtim edhe nga shqiptarët që jetojnë në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë – në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, në të gjithë veprimtarinë shoqërore, ndër të tjera edhe në gjinitë e ndryshme të letërsisë artistike, në prozë e në poezi, gjë që dëshmon si për gjerësinë, ashtu edhe për thellësinë e përvetësimit të normës letrare kombëtare. Ky është një hap i rëndësishëm si për zgjerimin e funksioneve kombëtare të shqipes letrare, ashtu edhe për pasurimin e saj. Përpjekje për të përdorur gjuhën letrare të përbashkët shqipe vihen re edhe tek arbëreshët e Italisë.

Kjo shkallë zhvillimi e shqipes letrare, ndër të tjera kërkon që edhe rregullat drejtshkrimore të jenë sa më të njësuara e të qëndrueshme, me qëllim që të ndihmojnë për ngulitjen sa më të thellë dhe për përvetësimin sa më të lehtë të normave të gjuhës letrare të shkruar, e njëkohësisht të ndikojnë për njësimin e mëtejshëm edhe të normave të drejtshqiptimit.

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe konstatoi:

Kongresi i Drejtshkrimit, pasi i kishte bërë një shqyrtim shkencor përgjithësues nivelit të zhvillimit të gjuhës së sotme letrare shqipe, prirjeve të evolucionit të saj dhe në mënyrë të veçantë gjendjes së drejtshkrimit, konstatoi:

  • Shqipja letrare e kohës sonë ka hyrë tashmë në fazën më të lartë të zhvillimit të saj, në fazën e kristalizimit të plotë e përfundimtar. Ajo funksionon si një gjuhë letrare e përbashkët dhe e njësuar në të gjitha sferat e veprimtarisë shoqërore. Kjo shkallë e lartë zhvillimi kërkon edhe përcaktimin e normave drejtshkrimore sa më të plota, sa më të njësuara dhe të qëndrueshme.
  • Përpara Çlirimit ritmet e zhvillimit të gjuhës letrare kombëtare, për shkak të kushteve historiko-shoqërore të vështira, kanë qenë të ngadalshme. Por, me gjithë pengesat që u janë vënë shkollës shqipe dhe përpjekjeve për njësimin e gjuhës letrare amtare, populli shqiptar arsimdashës e ka ruajtur atë si gjënë më të shtrenjtë edhe në çastet më të rënda të jetës së tij historike dhe ka luftuar pareshtur për ta pasuruar e për ta ngritur në nivelin e një gjuhe të përbashkët kombëtare sa më të njësuar e të përparuar.
  • Njësimi i drejtshkrimit ka qenë kurdoherë pjesë e pandarë e këtyre përpjekjeve. Drejtshkrimi ka ecur përpara krahas zhvillimit të vetë gjuhës, është përsosur vazhdimisht në sajë të zhvillimit të shkencës gjuhësore shqiptare dhe është përvetësuar e ngulitur nga shkolla jonë e re, nga shtypi e botimet e të gjitha llojeve.
  • Ashtu si gjuha letrare në përgjithësi, edhe drejtshkrimi i saj ka qenë i pashkëputur nga gjuha e popullit. Përhapja dhe zbatimi i një drejtshkrimi të njësuar në të gjitha sferat e veprimit të fjalës së shkruar ka ndihmuar për përvetësimin e ngulitjen e normave të gjuhës letrare.
  • Drejtshkrimi nuk është vetëm një çështje shkencore, por edhe një problem i rëndësishëm shoqëror, sepse është shprehje e drejtpërdrejtë e njësimit të gjuhës letrare kombëtare, e cila luan një rol të dorës së parë në forcimin e vetëdijes kombëtare, në zhvillimin e jetës mendore.

Projekti i “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” që u botua më 1967 në Tiranë, u mirëprit nga bota shkencore, arsimore e kulturore shqiptare dhe gjeti një miratim të përgjithshëm teorik dhe praktik. Parimet themelore mbi të cilat mbështetet ky projekt, ndërtimi i tij, si edhe zgjidhjet kryesore u vlerësuan shkencërisht të drejta. Kjo tregon se ai është mbështetur në realitetin gjuhësor dhe është hartuar mbi baza të drejta teorike-metodologjike. Zbatimi i rregullave të drejtshkrimit të 1967-s ka sjellë rrafshimin e mëtejshëm të shumë lëkundjeve drejtshkrimore dhe ka njësuar pothuajse plotësisht gjuhën e të gjitha botimeve shqipe. Puna për të përvetësuar e për të vënë në jetë rregullat e drejtshkrimit solli një përmirësim të dukshëm dhe njësim të mëtejshëm të gjuhës së teksteve shkollore, të shtypit e të letërsisë artistike, të dokumenteve e të shkresave zyrtare etj. Ajo u bë një mjet i gjallë për të përmirësuar më tej mësimin e gjuhës shqipe në të gjitha shkollat, si në qytet, ashtu edhe në fshat.

Rreth projektit janë zhvilluar diskutime brenda dhe jashtë Republikës Popullore të Shqipërisë, në shtypin shkencor e në shtypin masiv, si edhe në konsulta të gjera të mësuesve të gjuhës e të letërsisë shqiptare e të punonjësve të tjerë të kulturës. Ky diskutim popullor e ka pasuruar më tej mendimin shkencor për problemet e drejtshkrimit të shqipes, dhe ka sjellë një ndihmë të vlefshme për përmirësimin e mëtejshëm të tij. Kjo rrahje e gjerë krijuese e pikëpamjeve shkencore, e cila u plotësua, u thellua e u përgjithësua teorikisht në këtë Kongres, u jep zgjidhjeve drejtshkrimore një karakter të thellë popullor e objektiv, dhe i bën ato t’i qëndrojnë provës së kohës.

Në dritën e të gjitha këtyre dhe në përputhje me mendimin e përgjithshëm e me argumentimet shkencore, që u shprehën në referatin “Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj”, në kumtesat e në diskutimet, duke u mbështetur edhe në parashtresat e dy komisioneve të veçanta të shqyrtimit të vërejtjeve, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe vendosi:

Pika I e Rezolutës

  • Rregullat e drejtshkrimit të mbështeten sa më gjerë në trajtat e përbashkëta të gjuhës kombëtare shqipe.
  • Parim themelor i rregullave të drejtshkrimit të shqipes të jetë parimi fonetik. Ky parim do të zbatohet në të gjitha rastet kur shqiptimi letrar paraqitet i njësuar; në këtë mënyrë do të vendoset një lidhje e ngushtë midis formës së shkruar dhe formës së folur të gjuhës letrare. Kur në shqiptimin letrar ka variante normative, drejtshkrimi do të mbështetet tek ajo trajtë që është më e përgjithshme, dhe që pajtohet me prirjen e zhvillimit të sistemit fonetik të gjuhës letrare.
  • Meqenëse shkrimi pasqyron jo vetëm strukturën fonetike, por edhe veçoritë e strukturës gramatikore, leksikore e fjalëformuese të gjuhës, rregullat e drejtshkrimit do të mbështeten edhe në parimin morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore që shkaktohen nga ligjet e gjalla fonetike që veprojnë në gjuhën tonë. Parimi morfologjik do të zbatohet në ato raste kur parimi fonetik do të çonte në errësimin e në prishjen e strukturës së sotme morfologjike e fjalëformuese të fjalës.
  • Parimi historik-tradicional do të pranohet në pak raste, kur në gjuhën letrare ka një traditë shkrimi të vjetër, të ngulitur prej kohësh.
  • Rregullat e drejtshkrimit të jenë sa më të thjeshta, të qarta e përgjithësuese. Të ketë sa më pak rregulla e sa më pak përjashtime.
  • Rregullat e drejtshkrimit të jenë sa më njësuese: të pakësohen në masën më të skajshme zgjidhjet e dyfishta.
  • Duke marrë parasysh gjendjen e sotme të normës gramatikore, për t’iu përgjegjur nevojave të praktikës, në “Rregullat e drejtshkrimit” të përfshihet një kapitull, ku të trajtohen çështje gramatikore që lidhen ngushtë me drejtshkrimin.
  • Rregullat e drejtshkrimit të zanoreve e të bashkëtingëlloreve të ndërtohen e të renditen sipas çështjeve fonetike.

Kongresi shprehu kërkesën që:

  • Duke u mbështetur në parimet e përgjithshme dhe në zgjidhjet kryesore të Projektit të vitit 1967, brenda vitit 1973 të hartohen përfundimisht “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe”;
  • Në bazë të “Rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe” brenda vitit 1974 të hartohet “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”;
  • Për të kodifikuar plotësisht normat e gjuhës letrare të folur e të shkruar, brenda vitit 1975 të hartohen “Rregullat e drejtshqiptimit” dhe “Rregullat e pikësimit të gjuhës shqipe”.

Pika II e Rezolutës

Në hartimin përfundimtar të “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” të kihen parasysh këto kërkesa të Kongresit:

  • Zgjidhja e të gjitha problemeve të veçanta të drejtshkrimit të behet në sistem, duke ndjekur një vijë konsekuente jo vetëm brenda nënsistemeve të gjuhës, por duke pasur parasysh edhe lidhjet midis këtyre nënsistemeve.

Për drejtshkrimin e zanoreve:

  • Të jepen rregulla sa më konsekuente për shkrimin e zanores ë të patheksuar, sidomos në trup të fjalës, duke marrë më shumë parasysh parimin fonetik (shqiptimin e sotëm letrar) dhe duke përcaktuar më qartë rastet e zbatimit të parimit morfologjik, në përputhje me pikat I,1 dhe I,2 të kësaj Rezolute. Në përgjithësi, pasqyrimi në drejtshkrim i zanores ë të patheksuar të udhëhiqet nga synimi për rregulla sa më të njësuara.
  • Rënia e zanoreve të patheksuara gjatë shqiptimit për arsye të elizionit, të mos pasqyrohet në shkrim; fjalët dhe trajtat e tyre gramatikore të shkruhen gjithnjë të plota.
  • Grupet e zanoreve ue, ye, ie të ruhen të plota në shkrim.
  • Në pajtim me traditën, për të shmangur homoniminë si edhe për të ruajtur strukturën e formimit, trajtat e shkurtra proklitike të përemrave ia, iu, të shkruhen me i dhe jo me j (ia, iu dhe jo ja, ju).

Për drejtshkrimin e bashkëtingëlloreve:

  • Bashkëtingëlloret e zëshme në fund dhe para një bashkëtingëlloreje të shurdhët në trup të fjalës të ruhen në shkrim si të tilla, pavarësisht nga mënyra e shqiptimit.
  • Drejtshkrimi i parashtesave sh-/ç-/zh- dhe s-/z- të njësohet në përshtatje me natyrën e tingullit nistor të temës, së cilës i shtohet parashtesa.
  • Te emrat që mbarojnë me i të theksuar, kur kjo në trajtat e tyre të ndryshme morfologjike ndiqet nga një zanore tjetër, të mos shkruhet -j- (liri – liria, shtëpi – shtëpia).
  • Të ruhet bashkëtingëllorja nj në trup të fjalës te emrat si brinjë, shkronjë etj. dhe të përcaktohet norma në mbaresën e shumësit më -nj ose -j për emrat e tipit ari, bari, ulli, ftua, përrua etj. si edhe për mbiemrat e tipit i ri. Zgjidhjet të jenë në pajtim me prirjet e zhvillimit të strukturës fonetike dhe morfologjike të shqipes letrare.
  • Grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, ng, ngj të ruhen kurdoherë të plota në shkrim.
  • Çështja e takimit të dy shkronjave që mund të lejojnë lexim të dyfishtë, të studjohet dhe të zgjidhet në pajtim me kërkesat e sistemit fonetik e morfologjik dhe duke mbajtur parasysh edhe anën praktike të saj.
  • Te foljet me temë më -t në vetën e tretë njëjës të së pakryerës dëftore, lidhore e kushtore, kjo bashkëtingëllore në pajtim me prirjen e sotme të normës morfologjike, të ndërrohet në -s, për të shmangur kështu takimin e dy t-ve: fliste, priste, shëtiste (dhe jo flitte, pritte, shëtitte).

Për shkrimin e fjalëve dhe të emrave me prejardhje të huaj:

  • Për fjalët me burim nga gjuhët klasike, drejtshkrimi i shqipes të bazohet në trajtat e këtyre gjuhëve dhe jo në trajta që paraqesin veçori fonetike të kësaj ose asaj gjuhe nëpërmjet së cilës ka ardhur fjala në gjuhën shqipe.
  • Për ata tipa fjalësh, shqiptimi letrar i të cilëve është i njësuar dhe i përgjithësuar me kohë, ky kriter të jetë vendimtar në caktimin e trajtës së tyre drejtshkrimore; kështu të shkruhet aksion, funksion; biçikletë, çimento; kontroll, llogari etj.
  • Te fjalët e huaja që kanë ia, ie, io, iu me i të patheksuar në trup të tyre, të ruhet në shkrim zanorja i, pavarësisht nga shqiptimi i saj si j në disa prej këtyre fjalëve.
  • Emrat e përveçëm të huaj të shkruhen duke u mbështetur në traditën e përdorimit të tyre në gjuhën shqipe dhe duke marrë parasysh shqiptimin në gjuhën përkatëse.

Në “Rregullat e drejtshkrimit” të trajtohen këto çështje gramatikore:

Për shkrimin e fjalëve bashkë ose ndaras dhe bashkë ose me vizë në mes:

  • Shkrimi i fjalëve bashkë, ndaras ose me vizë në mes të zgjidhet në bazë të konceptit shkencor mbi fjalën dhe veçoritë e saj në gjuhën shqipe, si një njësi tërësore e mbyllur fonetike, gramatikore e semantike.
  • Të përkrahet prirja e shqipes letrare drejt njëfjalësimit të disa togfjalëshave, veçanërisht të disa shprehjeve ndajfoljore, parafjalore e lidhëzore.

Për përdorimin e shkronjave të mëdha:

Për ndarjen e fjalëve në fund të rreshtit:

  • Ndarja e fjalëve në fund të rreshtit të mbështetet kryesisht në ndarjen e fjalëve në rrokje, duke marrë parasysh edhe strukturën morfologjike të fjalës. Por asnjëherë në fund të rreshtit të mos mbetet një shkronjë e vetme e po kështu të mos kalojë në rreshtin tjetër një shkronjë e vetme, qoftë edhe zanore.
  • Për rastin kur ndërmjet dy zanoreve ndodhen dy a më shumë bashkëtingëllore, ndarja në fund të rreshtit të jetë e lirë, mjafton që bashkëtingëllorja e fundit të kalojë në krye të rreshtit e ndjekur të paktën nga një zanore (të lejohet ndarja ko-krra dhe kok-rra, ve-gla dhe veg-la).
  • Dyshkronjëshat në fund të rreshtit nuk ndahen.

Pika III e Rezolutës

Duke e vlerësuar gjuhën letrare të njësuar si një nga arritjet më të mëdha të shoqërisë sonë socialiste në lëmin e kulturës, si kurorëzimin e përpjekjeve të pareshtura të shumë brezave që, edhe në kohët më të errëta, e ëndërruan këtë ditë dhe punuan me vetëmohim për ta bërë sa më të afërt, Kongresi i bën thirrje gjithë popullit shqiptar që ta përdorë gjuhën letrare të njësuar si një mjet të fuqishëm të përparimit shoqëror dhe ta shohë kujdesin për zhvillimin e lulëzimin e saj te pandalshëm si detyrë të vazhdueshme.

Në mënyrë të veçantë Kongresi bëri thirrje:

  • Shkollës shqiptare, si vatra themelore e formimit gjuhësor të brezave të rinj, që i edukon ata me dashuri për gjuhën amtare dhe u zbulon thesarin e pashtershëm të saj, ta vlerësojë përvetësimin e normave të njësuara të gjuhës letrare e të drejtshkrimit të miratuar nga Kongresi si detyrë themelore dhe të zbatojë plotësisht rregullat e reja të drejtshkrimit, duke filluar nga viti 19731974.
  • Institucioneve të teksteve shkollore, që të pregatisin dhe të botojnë tekste ndihmëse dhe mjete të tjera të nevojshme për përvetësimin dhe zotërimin praktik të normave të gjuhës letrare dhe të drejtshkrimit të saj.
  • Shkrimtarëve shqiptarë, të cilët me fjalën e gjallë artistike luajnë një rol të dorës së parë në kristalizimin dhe ngulitjen e normës letrare kombëtare, të punojnë me këmbëngulje për zbatimin e përhapjen e normës drejtshkrimore të njësuar.
  • Institucioneve botuese, që t’i zbatojnë me përpikëri rregullat e drejtshkrimit dhe të ndihmojnë gjallërisht për përhapjen e normave letrare dhe për ngritjen e kulturës gjuhësore të popullit.
  • Enteve shtetërore, organizatave shoqërore, institucioneve të shkencës e të kulturës, që të marrin masa për të zbatuar në gjuhën e shkruar rregullat e drejtshkrimit.
  • RadioTelevizionit, teatrit, kinematografisë, që të zbatojnë rregullat e drejtshkrimit dhe rregullat e drejtshqiptimit për të ndihmuar në përhapjen dhe ngulitjen e normave të trajtës së folur të gjuhës letrare.
  • Institucioneve shkencore-arsimore që merren me studimin e gjuhës shqipe, që t’u kushtojnë vëmendje të vazhdueshme problemeve të drejtshkrimit dhe të ndërmarrin studime të mëtejshme në këtë fushë.

Këshilla për zbatim dhe thirrje frymëzuese

  • Kongresi porositi që, duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj si edhe çështjet e reja që nxjerr praktika gjuhësore, “Rregullave të drejtshkrimit” t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura.
  • Kongresi shprehu besimin e tij të plotë se kjo thirrje do të përkrahet me entuziazëm dhe do të frymëzojë arsimtarët, shkrimtarët, punonjësit e shkencës dhe të kulturës, gjithë inteligjencën dhe të gjitha masat punonjëse, që me veprimtarinë e tyre krijuese ta zhvillojnë, ta pasurojnë e ta ngrenë gjithmonë më lart gjuhën tonë letrare kombëtare.

Shiko edhe

Literatura

  • Instituti Albanologjik i Prishtinës. Drejtues Komisioni: Prof. Androkli Kostallari, Rilindja (Sh.B.): Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe. Rilindja, Prishtinë 1974.
  • Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Drejtues Komisioni: Prof. Androkli Kostallari, 8 nëntori (Sh.B.): Fjalor i gjuhës së sotme shqipe. 8 nëntori, Tiranë 1980, Fq. 2273.
  • Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Sh.B.): Eqrem Çabej dhe vendi i tij në shkencat albanologjike. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2009, ISBN 978-99956-10-31-9, Fq. 257.
  • Androkli Kostallari, Instituti i gjuhësisë dhe i letërsisë (Sh.B.): Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë (Materiale të konferencës shkencore të mbajtur në Tiranë më 7-8 dhjetor 1984). Instituti i gjuhësisë dhe i letërsisë, Tiranë 1988, Fq. 567.
blank

Arkivi i Voal.ch – 26.11.2012 DIKTATURA KA KRYER PATRICID NDAJ BABALLARËVE TË KOMBIT – I KA VRARË, SYRGJYNOSUR, LËNË NË HARRIM E MALLKIM PËR 70 VJET Nga ELIDA BUÇPAPAJ

 

Këto ditë opinioni shqiptar për herë të parë pas gati 70 vitesh po njihet me 40 firmëtarët e pavarësisë, Baballarët e Kombit. Këtë definicion kanë themeluesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që njihen si „Etërit themelues të Amerikës“, për ata 56 burra që nënshkruan më 1776 Deklaratën e Pavarësisë të SHBA, e cila kërkonte shkëputjen nga Kurora britanike. Më vonë Historiani Richard B. Morris në vitin 1973 do të identifikonte shtatë prej këtyre 56 firmëtarëve, si Etërit Themelues kryesorë, Etërit çelësa midis tyre John Adams, Benjamin Franklin, Alexandër Hamilton, John Jay, Thomas Jefferson, James Madison dhe George Washington, por ata 56 firmëtarë hynë menjëherë në historinë e SHBA dhe në memorien e kombit dhe qytetarëve duke filluar prej teksteve të historisë shkollore. Prandaj ky vend është i madh, sepse nuk i harron krijuesit e tij. Në Testamentin e Vjetër, në 10 Komandamentet (Dekalog) e Kuran nderimi ndaj prindërve është i detyrueshëm. Ashtu edhe nderimi për Etërit e Kombit.

Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta, ka ndodhur Patricid, ku bijtë kanë vrarë Etërit e tyre dhe prandaj kombi vuan dhe nuk gjen qetësi. Në vend se në shkolla fëmijët të mësonin se cilët ishin themeltarët e pavarësisë, ata u helmuan që sa hodhën hapat e para me gënjeshtrën dhe u mëkuan me të vërtetën e manipuluar nga historianët e diktaturës, të cilët edhe sot e kësaj dite vazhdojnë e t’i mallkojnë ata burra shteti që e bënë Shqipërinë.

Përpara disa ditësh piktori i talentuar Arben Morina hapi një ekspozitë me 40 Firmëtarët e Pavarësisë, ku për herë të parë opinionit shqiptar i është krijuar mundësia që t’i shohë në art fytyrat e tyre, të cilat nuk i njeh pothuaj askush. Për 70 vjet diktaturë dhe tranzicion është bërë gjithçka për t’i zhbërë ata njerëz, për t’i fshirë nga memoria historike, pra është ekzekutuar një genocid historik. Sepse ata 40 firmëtarë do të duhej të ishin në memorien e çdo shqiptari, emrat e tyre do të duhej të njiheshin ashtu si edhe alfabeti, alfabeti i ka 36 gërma, ata janë 40 burra që vinin nga familjet fisnike, njerëz të dijshëm të cilët kishin qënë shtetarë brilantë të Perandorisë Turke dhe që iu gjendën vendit të tyre sapo e lypi nevoja.

Të festosh 100 vjetorin e Pavarësisë duke harruar Etërit e saj do të ishte mallkim. Ju kujtohet se si vendoste Byroja Politike në kohën e diktaturës fotot e nomenklaturës së lartë përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit në majë të ministrive? Nuk vendoste as dëshmorët, dhe as heronjtë e luftës, por fotot e Byroistave. Ashtu do të duhej të vendoseshin fotografitë e 40 firmëtarëve të pavarësisë. Por në vend të tyre, diktatura ushtroi terrorin e kuq, të shuarjes, diktatura ishte Patricide, por Patricide është edhe indiferenca. Kur botoj shkrimet e mia, dhe i vendos ato në Facebook dhe Twitter, miq gazetarë më dërgojnë përgëzime përmes inbox-it, sepse nuk duan të prishin rehatinë personale. Ky është mjerim kombëtar. Të heshtësh. Të heshtin gazetarët. Dikur ne heshtnim nga frika, tani gazetarët shqiptarë heshtin prej rehatisë, sepse luksi dhe komoditeti i bën indiferentë, i bën lepuj e frikacakë.

Por, gjithsesi, të gjithë vërejmë se këtë 100 vjetor të Pavarësisë diçka ka lëvizur për të mirë dhe uroj që kjo kthesë të mos jetë si fushatë. Ka filluar të krijohet përshtypja se ekziston një vullnet për të ndriçuar të vërtetën. Ka filluar të flitet për fatin tragjik të 40 firmëtarëve. Kam lexuar se ka një studim të Artan Lames i cili zbulon fatet e 40 firmëtarëve, njëri prej tyre, pikërisht Lef Nosi, ai që e kishte shpëtuar deklaratën e Pavarësisë nga dora e historianëve të diktaturës u pushkatua nga regjimit totalitarist dhe nuk ka varr, tre firmëtarë të tjerë vdiqën në burg dhe kanë mbetur pa varr, 6 prej tyre u burgosën dhe u dënuan deri në 24 vite burg, 4 u arratistën dhe 15 prej tyre vdiqën në emigracion, të ndjekur nga hienat e sigurimit të shtetit!

Por kulmi arrin kur shohim se edhe gjatë këtyre 22 viteve tranzicion Patricid-i ka vazhduar përmes heshtjes, indiferencës dhe lënies në harrim. Nuk ka mbetur prej Etërve asnjë shenjë, ndërsa nuk ka rreshtur asnjë çast prej historianëve të historiografisë të sistemit komunist që kundër tyre të hidhet veç dhé e baltë. Prej kohës që ata themeluan shtetin më 28 Nëntorin e 1912, gjatë këtyre 100 viteve kanë ndodhur tërmete shumë të forta kundër shqiptarëve: luftrat ballkanike, ndarjet e trojeve shqiptare, luftrat botërore, diktatura dhe tranzicioni. Shenja e parë e ringjalljes ishte Kosova, ndërsa de jure ringjallja e shqiptarëve duhet të kishte nisur ashtu si për të gjitha vendet ish-komuniste pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rrëzimit të Murit të Berlinit e sistemit totalitarist.

Në Shqipërinë e tranzicionit kanë vazhduar gënjeshtrat, ka vazhduar terri historik dhe propaganda trushplarëse se diktatura ka qenë e mirë dhe etërit që krijuan vendin kanë qenë tradhtarë dhe e kanë merituar shfarosjen dhe ekzekutimin e Patricidi-t, i cili është dhe do të mbetet i dënueshëm nga Zoti nga Njeriu i Qytetëruar dhe nga shenjtorja drejtësi.

Ndërkohë, duke u nisur prej këtyre shenjave të mbara, edhe një herë uroj që kjo klimë festimesh të mos jetë fushatë, por fillimi i ri për shqiptarët, për të njohur veten, se nga vijnë, sepse atëherë do ta kuptojnë shkakun se pse integrimi në Europë është pjesë e identitetit të tyre të mohuar sa nga pushtuesit, sa nga diktatura, aq edhe nga indiferenca e tranzicionit. /26.11.2012

( Kjo esse është përfshirë në librin e autores Elida Buçpapaj “Traumat e Tranzicionit”, botim i ONUFRIT, 2013)

blank

blank

Arkiv i Voal.ch 22.11.2012 AJTEN TOPTANI – PAS DORËZIMIT TË SHKODRËS ESATI U VLERËSUA NGA ISMAIL QEMALI Nga FATOS VELIU

 

TIRANË -Për herë të parë një nga pinjollët e drejtpërdrejtë të familjes së Toptanasve të famshëm rrëfen ngjarjet e heronjve të harruar në histori.
– Çfarë dëshmon Ajten Toptani për babain e tij, që ishte i biri i Murat Toptanit dhe nipi i Naim Frashërit, i cili u shpronësua dhe u deklasua me akuzat më të rënda të kohës?
– Kush janë burrat e Toptanëve të lidhur me Frashërllinjtë e mëdhenj në krushqitë e afërta me ta, të cilët siguruan dhe financuan Ismail Qemalin në ditët e egra kur i kërkohej koka në tepsi?
– Cila është e vërteta e ngjarjeve të çuditshme të Esat Toptanit, dhe çfarë ka ndodhur në çastet e dorëzimit të Shkodrës.
– Përse Ismail Qemali mendoi të ketë Esat Toptanin një prej njerëzve të preferuar ku duhej të mbështetej në përballimin e situatave që kalonte?
– Çfarë i ka kërkuar Esat Toptani, Presidentit Uillson në takimin e çuditshëm që ka bërë në prillin e vitit 1919.
– Çfarë kishte parasysh me protektoratin amerikan dhe njoftimi i bujshëm i dalë ato ditë në gazetën prestigjioze “Spektator”?

Zoti Ajten Toptani, çfarë është për juve dhe familjen tuaj “Toptani”, dita “Lapidar” e 28 Nëntorit?
– 28 Nëntor 1912. Dita e shpalljes së Pavarësisë. Perceptimi i kësaj date të rëndësishme i përket viteve më parë, kur filloi në ndërgjegjen tonë analiza e domethënies së festës kombëtare. Festa të ndryshme të mëdha e të vogla kryesisht me ngarkesa politike e propagandistike të shoqëruara me interpretime historike euforike dhe patetike argëtonin ditën e pushimit qytetarin apo fshatarin shqiptar në rrugën e mundimshme të ndërtimit të jetës së re. Dita e Pavarësisë “28” ishte e furnizuar me atë të Çlirimit “29”, saqë nganjëherë nuk arrije saktësisht t’i perceptoje ndjesinë edhe pse ajo që përfaqësonte u përkite epokave të ndryshme.

Le të ndalemi te pyetja e drejtpërdrejtë të cilën jo më kot ua bëra pikërisht juve. Pra, çfarë përbënte kjo datë për Toptanasve, të cilët opinioni i gjerë shqiptar, i njihte vetëm si tradhtarë?
– 28 Nëntori, dita e Pavarësisë, për ne të familjes Toptani ishte një nga festat me ngarkesë të lartë emocionale jo vetëm për faktin se çfarë përfaqësonte, por për lidhjen që ajo kishte me disa personazhe protagonistë të rëndësishëm të saj që i përkisnin familjes tonë, politikisht në pikë të hallit në atë kohë.

Pjesëtarë të familjes suaj lidheshin me këtë datë? Ndërkohë që ju keni qenë të goditur me origjinë në gjithë fisin, a përmendeshin ata që paskan pasur kontribut në ditën e Pavarësisë, siç po më thoni ju?
– Kur përmendej ndonjëri prej tyre në mediat e asaj kohe, ngjarja shoqërohej me një komunikim të shpejtë, shpresëndjellës, midis fisit, që stuhia e luftës së klasave ishte qetësuar disi. “E morët vesh…, e përmendën! Dikush mund shpresonte t’i ulej dënimi apo dikush tjetër mund t’i afrohej qytetit të lindjes, Tiranës, që paraardhësit e tyre e krijuan (nga linja femërore, Bargjinasit) dhe e konsoliduan (nga linja mashkullore Toptanasit) duke e dominuar atë për afro 150 vjet.

Po kur nuk mund të përmendej, si shoqërohej situata në familjen tuaj?
– Kur nuk përmendej…. Mundej që katastrofa totale të ishte pranë derës. Ky pra ishte “barometri i 28-ës” që thoshte im atë, i cili ishte i biri i Murat Toptanit, nipi i Refik Toptanit dhe nipi i Naim Frashërit, sigurisht… një borgjez i shpronësuar dhe i dënuar politik si pjesa më e madhe e burrave të kësaj familjeje të deklasuar.

Zoti Ajten. Le të ndalemi si fillim te përbërja e fisit tuaj të shumënjohur. Pra, kush është familja juaj e Toptanasve?
– Të flasësh për familjen tënde, sidomos kur kërkon të evidentosh kontribute apo merita, të cilat mund të interpretohen gabimisht si mburrje, është jo pak e vështirë, por unë do të mundohem të jem sa më modest dhe t’ju siguroj që, të parët tanë dhanë në disa momente të rëndësishme të historisë sonë aq shumë për atdheun dhe morën pothuajse asgjë prej tij dhe në këtë rast, në shoqërinë e konsumizmit që jetojmë, nuk ka asnjë arsye për t’u mburrur. Prindërit tanë edhe pse vuajtën, nuk u dekurajuan asnjëherë në këtë aspekt, të pashpjegueshëm lehtësisht.
Unë nuk jam historian, por qysh i vogël kam qenë i apasionuar pas saj dhe kur vitet kalonin, më ka interesuar të dija realisht gjithnjë dhe më tepër kush ishin në të vërtetë, ata për të cilët flitej, apo ata që ishin realisht. Sigurisht kjo ishte edhe në tentativën për të zbuluar dhe të metat e aktorëve.

Për parantezë, jam kurioz se si duket sot për një Toptanasve, historia dhe figurat e kombit në lidhje me kontributet historike në datat jubilare?
– Tani, me sa po shikoj, duket që dhe ky përvjetor si shumë të tjerë nuk po i shpëton politizimit, reminishencave, qëllimeve dhe krahinizmit, edhe pse në një formë “më ndryshe se më parë”. Po i ndjek me interes dhe vëmendje emisionet historike qoftë nga historianë, publicistë dhe gazetarë për përvjetorin në fjalë dhe arrij të ndjej (jo tek të gjithë) ku me arrogancë, prepotencë e pa vërtetësi tentohet të paraqiten ngjarjet historike sipas modelit: o me ne, o kundra nesh, që kjo është e mira dhe kjo është e keqja. Ismail Qemali e mira – Esati tradhtari, Noli i miri – Zogu satrapi, Revolucioni i Qershorit shumë i mirë – Legaliteti shumë i keq, që në tërësinë e ligjëratave të kujtojnë klishetë dhe betonizimin e historiografisë në kohën e diktaturës, duke harruar dhe mohuar natyrën njerëzore të protagonistëve në kohë e situata të ndryshme, ku zhvilloheshin ngjarjet. Deformimi apo jovërtetësia e historisë nuk ka ndodhur ashtu siç diskutohet me keqdashje në disa raste, për faj të historianëve në përgjithësi, të cilët si të gjithë qytetarët dhe intelektualët e këtij vendi në atë kohë, punën e kishin të kushtëzuar nga “shtrëngata” e frymës revolucionare, “gjëmimi” i mësimeve të marksizëm-leninizmit dhe nga kontrolli i inspektorëve “specialë” të institucioneve të propagandës. Volteri ka thënë “historia e vërtetë mund të shkruhet vetëm në një vend të lirë”. Ne nuk ishim një vend i lirë dhe sot nuk jemi plotësisht i tillë. Historia është mision vetëm i historianëve.

Më konkretisht, ku janë rezervat tuaja në lidhje me sa thatë?
– Nuk është e hijshme në këtë kohë dhe në nderin e disa historianëve apo publicistëve, përdorimi i fjalëve fyese apo zhargoni psh. (që sinqerisht nuk pritej nga një publicist i diplomuar në filozofi në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste) që i bënte një letër Esat Toptanit, në formën e një pretence publike fyese me doza urrejtjeje, më tepër klasore dhe të pamoralshme, 90 vjet pas vrasjes së tij për rivalitet politik, i paaftë për t’i kthyer përgjigje, që të kujtonte “fletë-rrufetë” apo gjyqet specialë të modelit të revolucionit kulturor të ’67-ës, kurse i akuzuari tashmë i ngulur skelet, natyrisht pas kaq vitesh, në varrezën Thiais në Paris, “dridhej në çengelin diktaturës së proletariatit” nga retorika e akuzuesit të pamëshirshëm. Këto arsyetime bëhen nganjëherë qesharake në korin e refrenit bajat që vazhdon prej vitesh.

Si e mendoni ju trajtimin e historisë, të paktën në ditët e sotme, që çuditërisht vazhdoni të keni rezerva?
– Historia nuk ka vetëm piedestal apo kosh plehrash sipas terminologjisë së metodës komuniste të luftës së klasave, por ka analiza shkencore dhe vlerësime të kujdesshme dhe të ndershme për merita apo gabime, për vetë misionin e shenjtë që ka ajo.

Juve mendoni se mund të mbroni Esat Toptanin në ditët e sotme, pasi tashmë mund të thuhen edhe vlerat që mund të ketë patur, por që s’janë përmendur ndonjëherë?
– Unë nuk kam nevojë as ta mbroj e as ta shaj Esatin, se nuk jam historian dhe nuk pretendoj të ndryshoj ndonjë gjë në lidhje me të. S’kam ndonjë interes personal për t’u krenuar apo për t’u ligështuar për ato që ai akuzohet, se personalisht më mjaftojnë si beground historik personal gjyshi Murat Toptani, apo stërgjyshi tjetër Naim Frashëri etj., dhe jo Esati, kushëriri i tretë apo i katërt i gjyshit. Por mënyra fyese, gati histerike dhe llahtari se mos ngrihet në piedestal tradhtari Esat të kujton thirrjet e presidentit të parë “pluralist prej zori” i fundit i diktaturës, kur betohej në agoninë e sistemit, në formë amaneti, “që kurrë nuk do të lejojmë rikthimin e bejlerëve, pronarëve e borgjezëve, që atyre dhe baballarëve të tyre ua kemi shtypur kokën sistematikisht për kaq vjet”.

Meqenëse jemi te Esati, i cili sigurisht sado i largët është brenda fisit tuaj, mendoj se duhet ta pranoni se mbi të rëndojnë goxha akuza, apo jo?
– Do kisha dëshirë të tregoja diçka për akuzat kryesore që atij i janë bërë e pa dyshim do t’i bëhen, se çdokush është i lirë të thotë atë që mendon, kur të bazohet në fakte, si p.sh. fakti që po të mos ishte dora e Hasan Prishtinës, Esati do të merrte jetën e deputetit Cekrezi në Parlament për nderin e Ismail Qemalit. Gati të gjithë ata që e kritikojnë apo e tradhtarizojnë atë nuk kanë qënë pranë tij në momente të vështira si psh. në luftën e tri puseve në Greqi, në rrethimin e Shkodrës, në llogoret e Bardhoit, Bërdicës e Taraboshit në muret e kalasë ku fluturonin predhat e 103 topave apo avionët e Serbisë, që u përdorën për herë të parë, apo në luftimet përkrah Antantës, atje ku të fishkëllente artileria tek veshi dhe atje ku viheshin në provë luftëtarët e guximshëm, por shoqëronin ngjarjet me “dhimbje për mëmëdhenë” me gotë rakie e ndonjë pulë të pjekur përpara.

Pse, si mund të kenë menduar ata që kanë qenë afër?
– Ata që kanë qenë më afër mendonin më ndryshe si Gino Berri, Italo Suliotti, Artensa Von Zambauer, Baronesha Maria, Amelia Freiin Von Godin, Gjenerali Sarail, konsuj e personalitete të huaja etj. Fishta në këtë aspekt e ka përjetësuar në varg.

Jam dakord për sa analizoni, por unë do të doja t’ju pyesja se nga sa keni dijeni ju në veprimtarinë e Esat Toptanit, kush sipas teje janë momentet më të spikatura të historisë së tij?
– Unë do t’u përgjigjesha duke shtruar pyetjet: Si ka mundësi që Turqia nuk kishte burra të tjerë, por zgjodhi Esatin si kryetar të komisionit ushtarak për komunikimin e abdikimit të Sulltan Abdylhamitit II, që kish qenë në krye të perandorisë osmane për 23 vjet?

Kryeakuza që rëndon mbi të është fakti i dorëzimit të Shkodrës te Malazezët. Keni një koment tuajin në lidhje me të?
– U dorëzoi Shkodrën malazezëve. Detyra e një qyteti apo e një kështjelle të rrethuar është që t’i rezistojë sa më gjatë armikut brenda mundësive dhe rezervave të veta. Në periudhën e fundit, Esati nuk dilte dot nga zyra, se një turmë e uritur banorësh i kërkonin bukë dhe i luteshin atij të dorëzohej, kurse mustafezët në llogore zienin opingat për t’u ushqyer që të vazhdonin qëndresën. E vetmja kështjellë e pamposhtur tek ne ka qenë ajo e Enverit në brigjet e Adriatikut. Në historinë botërore si në antikitet, gjatë Bizantit, në Mesjetë, kur mundësitë për qëndresë shtronin të gjitha, i dorëzoheshin me kushte apo pa kushte armikut, por në asnjë rast nuk kam dëgjuar që komandantët të jenë akuzuar si tradhtarë, përveç Shkodrës. Po përveç Esatit, Shqipëria nuk kishte burra të tjerë që ta mbronin Shkodrën, por ia lanë në dorë “tradhtarit” ta mbronte? Jeruzalemi iu dorëzua Saladinit, por askush nuk i akuzoi kryqtarët heroikë për tradhti ndaj besimit dhe qytetit të shenjtë. Po ashtu shekuj më vonë, pas rënies së Krujës, iu dorëzua Shkodra Mehmet pushtuesit, por askush nga venecianët nuk u akuzua për tradhti në kronikat historike. Vrau Hasan Riza Beun, por pse nuk merret në konsideratë lajmi i gazetave zyrtare të Stambollit për vrasësin malazez, Pedelin, i cili u pagua 6000 lira ari për këtë vrasje. Shkodra iu dorëzua Malit të Zi një muaj pasi Konferenca e Ambasadorëve ia kishte rivendikuar atë Shqipërisë edhe pas 7 muajsh luftimesh të ashpra. Këtë fakt e dinte mirë Esati dhe austriakët, që e vunë në dijeni, kurse garnizoni i Janinës nën komandën e Esat Pashë Janinës u dorëzua para Konferencës së Ambasadorëve dhe Janina i mbeti Greqisë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve dezertoi dhe një pjesë gjithashtu e madhe e trupave turke dhanë shpirt nëpër baltërat e Myzeqesë dhe të vendeve të tjera, shumë më ndryshe nga Garnizoni i Shkodrës. Komandantin e garnizonit për mbrojtjen e Janinës nuk e akuzoi njeri për tradhtar.

Por për Esatin thuhet se ka bërë shitje të Shkodrës, apo jo?
– Thonë që Esati mori lekë nga Mali i Zi, autoritetet e Malit të Zi pas dorëzimit të qytetit nuk patën kohën e mjaftueshme as ta “vizitonin” komplet qytetin, por u mjaftuan me një fjalim patetik të Nikollë Karadakut, ku mallkoi Fuqitë e Mëdha Europiane për padrejtësinë që i bëhej, duke lënë në luftë afro 5000 të vrarë e të plagosur për Shkodrën, e u kthye andej nga erdhi.

Ju mendoni se flitet për cenimin e integritetit të vendit në veprimet e Esat Toptanit?
– Po ta shohësh në një këndvështrim tjetër, Esati i mundi dy herë: një herë në luftë dhe një herë tek lekët, në qoftë se është e vërtetë kjo e fundit. Pas kësaj, Ismail Qemali e emëroi ministër të Brendshëm të qeverisë provizore të Vlorës. Bëri marrëveshje me Pashiqin. Nuk di që nga këto marrëveshje të jetë cenuar integriteti territorial i vendit.

Gjithsesi në ato periudha për të cilat po flisnim, Shqipëria ka pasur cenim të integritetit territorial të saj apo jo?
– Në ato vite dhe më parë, personalitetet e Rilindjes sonë jo rrallëherë janë pritur me kurriz në kancelaritë e Europës nga zyrtarët e pushtetshëm, me fytyra nga dritarja duke soditur natyrën dhe çështja e Shqipërisë daravitej në korridoret e errëta të kancelarive me menefregizëm. Disavantazhi në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit ishte mjaft i madh. Serbia ishte e përkëdhelur nga fuqitë, po ashtu dhe Greqia. Territoret shqiptare, Serbia dhe Greqia nuk i mori me luftë, por iu dhuruan padrejtësisht në tabakanë e argjendtë të fqinjëve shovinistë. Përpara dhe gjatë kësaj marrëveshjeje propaganda zyrtare nacionaliste dhe shoviniste serbe, Nacërneja, i konsideronte shqiptarët myslimanë si turq, kurse shqiptarët e krishterë si serbë apo grekë të shqiptarizuar, njerëz të egër dhe injorantë, të cilët jetonin në male dhe flinin në pemë etj., etj., duke mohuar ekzistencën e kombit shqiptar. Serbia në këtë moment po trajtonte një marrëveshje (pavarësisht nga qëllimet djallëzore, ku çdo palë tërhiqte nga vetja) me një shqiptar dhe me një kombësi shqiptare ku evidentoheshin familje të mëdha fisnore dhe nuk po trajtonin një hordhi turkoshake, ashtu siç trumbetonin ata në shekuj në mënyrë zyrtare.

Jemi te tërësia territoriale e vendit. Në analizën dhe këndvështrimin e Toptanasve mbi të cilët ka rënë akuza e shumëpërfolur. Si e komentoni ju?
– Kufijtë e Shqipërisë janë caktuar nga Fuqitë e Mëdha dhe për shqiptarët ndryshimi i tyre sipas vullnetit ka qenë historikisht i pamundur. Esati nuk kishte në dorë gjë tjetër, por duke qenë dhe përfaqësues i rrymës proteksioniste rezulton se gjatë takimit me Presidentin e SHBA Uillson, në Paris, në prill të vitit 1919, t’i kërkojë SHBA pranimin e vendosjes së një protektorati amerikan mbi shtetin shqiptar, të paktën në kufijtë e vitit 1913. Gazeta “Spektator” hidhte idenë për krijimin e një republike amerikane në Ballkan.

Nuk e di sa qëndron saktësia e asaj që po deklaroni, por e vërteta është se prezenca amerikane solli vendimet e mëdha. Nuk e di nëse e keni fjalën këtu, apo jo?
– Do të duhej gati një shekull më vonë që nën inkursionet e NATO-s nën drejtimin e SHBA, në presidencën “Klinton”, të realizohej krijimi i shtetit të ri të pavarur të Kosovës.
(Vijon nesër)

FATOS VELI

blank

Arkiv i Voal.ch – Let’s go forward together ! WINSTON CHURCHILL NË ZYRIH MË 1946: LE TË BËHET EVROPA – Përktheu & përg. Elida Buçpapaj

Evropa që dilte nga Lufta e Dytë Botërore duhej të përballej me shumë probleme, i pari nga të cilët qe një rindërtim i thellë material dhe moral. Gabimet e pasluftës së parë nuk duhej të përsëriteshin, ndasitë mes shteteve duhej të reduktoheshin në maksimum. Për të gjithë shtetet perëndimorë ishte e qartë se Gjermania e mundur duhej të përfshihej sa më shpejt në skenën ndërkombëtare. Natyrisht, probleme të reja përvijoheshin në skenarin evropian dhe botëror, jo më i pakti “lufta e ftohtë”, e cila ishte duke e ndarë botën në dy blloqe që i kundërviheshin njëri-tjetrit, të udhëhequr nga SHBA dhe Bashkimi Sovjetik. Domosdoshmëria e një forme uniteti evropian qe tashmë shumë iminente, por ndërkohë strategjitë, madje mund të themi “pozicionet filozofike” mbi atë çfarë duhej të ishin Shtetet e Bashkuara të Evropës qenë të ndryshme. Eshtë folur tashmë për kontrastin mes federalistëve dhe konfederalistëve, ose thënë më mirë mes konstitucionalistëve dhe unionistëve (të parët promotorë të një kushtetute të re evropiane, të dytët më të prirur për një union liberal mes shteteve): nuk ka asnjë dyshim që nuk ishte e mundur (dhe nuk është as sot) të bëje pa entitetin shtetëror, konceptin e shtetit-komb. Në fundin e viteve ’40-të, pas një përplasjeje shumë të fortë mes kombeve e nacionalizmave, perspektiva e një reduktimi të pushtetit shtetëror ishte një hipotezë futuriste. Thelbësore për të kapërcyer impasin e krijuar nga ajo përplasje mes unionistëve dhe konstitucionalistëve ka qenë puna e personazheve si Monnet, De Gasperi, Schuman dhe Adenauer. Forcat në kundërvënie ishin një e djathtë e prirur nga ide nacionaliste – kampion i padiskutueshëm i të cilës konsiderohet presidenti francez Charles de Gaulle – dhe lëvizja komuniste ndërkombëtare. Sa u përket këtyre të dytëve, edhe në dritën e zbulimeve të kohëve të fundit mbi marrëdhëniet e tyre të ngushta me Bashkimin Sovjetik, nuk mund të mos mendohej për një bashkim të fortë evropian, që ndoshta shihej si tym në sytë e kundërshtarit të madh moskovit. Solidariteti i partive të ndryshme komuniste me kishën ruse nuk mund të mos nënkuptonte një politikë obstruksionizmi kundrejt një bashkimi evropian aleat me SHBA. Lufta e ftohtë kushtëzoi në mënyrë të pashmangshme projektin evropian.

Në këtë skenar kundërvënie dramatike mes blloqesh, figura karizmatike e Uinston Churchillit shfaqet si një prej personaliteteve kryesorë që kërkuan të stimulojnë një formë uniteti evropian. Në gusht të vitit 1946, kryeministri britanik kish mbajtur fjalimin e famshëm në Universitetin e Fulton, në Misuri, në të cilin thoshte se “nga Stetino në Trieste kish rënë një perde e hekurt” dhe blloku perëndimor nuk mund të injoronte këtë situatë. Pak javë më vonë, në 19 shtator, Churchill mbajti një tjetër fjalim të rëndësishëm në Universitetin e Zyrihut. Shtetet e Bashkuara të Evropës – kështu deklaroi burri i shtetit anglez – ishin një domosdoshmëri historike. Etapa e parë e këtij revolucioni institucional duhej të ishte krijimi i një Këshilli të Evropës. Churchill aludonte për një union mes shteteve që dëshironin të aderonin, nën udhëheqjen e Francës dhe Gjermanisë. Ky union – i parë si një garanci paqeje e prosperiteti në skenarin e ri ndërkombëtar – duhej megjithatë të konsideronte përjashtimin e Britansië së Madhe.

Farën e kish hedhur tashmë një prej luanëve të mëdhenj të fitores së luftës së fundit. E pamundur të injorohej. Tre vjet më pas, në 17 mars 1948, nisën të vilen frutet e parë: “makina evropiane” ish vënë në lëvizje me firmosjen e Traktatit të Brukselit. Britania e Madhe, Franca, Belgjika, Luksemburgu dhe Vendet e Ulta ranë dakord për një bashkëpunim politiko-ekonomiko-ushtarak. Mes prioriteteve kryesorë ishte padyshim ai i organizimit të rindërtimit të një raporti të ngushtë mes shteteve perëndimorë, nën kuadrin ekonomik të krijuar nga Plani Marshall. Në fakt, në prill, vetë Sekretari i Shtetit i ShBA, Xhorxh Marshall, u bë promotor teorik i organizatës së parë evropiane të pasluftës, që në 1961 mori emrin OCSE.

Në mars u organizua një tjetër kongres i rëndësishëm në Hagë, presidenca e të cilit iu besua Churchillit. Haga – ku u mblodhën figurat politike, industriale, udhëheqës sindikatash dhe intelektualë evropianë – ishte një rast i mirë për të vënë zyrtarisht përballë pozicionet e unionistëve dhe konstitucionalistëve. “Pjellë” e këtij kongresi ishte Këshilli i Evropës, i cili lindi në 5 maj 1949. Një muaj më herët një tjetër organizatë, ushtarake dhe strategjike kish lindur: ishte NATO, në të cilën kishin aderuar thuajse të gjithë vendet e Evropës Perëndimore bashkë me SHBA dhe Kanadanë. Këshilli i Evropës pranoi në gjirin e vet edhe shtete neutralë (Austria, Zvicra e Sudeia) dhe vendosi si një prej objektivave parësorë një bashkëpunim më të ngushtë për “të ruajtur dhe nxitur idealet dhe parimet që janë trashëgimi e përbashkët, si dhe për të favorizuar progresin e tyre ekonomik dhe social”, angazhimin për një konventë evropiane të të drejtave të njeriut, si dhe realizimin e një qendre evropiane të kulturës. Në 10 maj, Ansambea e Këshillit të Evropës mbajti mbledhjen e parë në Strasburg.

Në këtë evolucion dukshëm të shpejtë nuk mund të mos merren parasysh dy erëra “kushtëzuese”, siç ishin grushti i shtetit në Çekosllovaki, vepër e komunistëve të mbështetur nga Moska dhe bllokada e Berlinit nga ana e BRSS. Kolosi sovjetik kallte frikë. Emergjencat ishin një bazë e mirë zhvillimi për idetë konstitucionaliste dhe federaliste evropiane. Kundërvënia ndaj bllokut sovjetik kërkonte, sigurisht, një bashkëpunim të fortë mes shteteve, por në të njëjtën kohë nuk mund të dobësohej shteti si entitet. Kështu që, nisi t’i hapet rrugë një politike minimaliste, e ndërtuar me hapa të vegjël e konkretë, më shumë se sa fortësisht utopiste. Hapi i parë, thelbësor u hodh në Francë. Në fakt, i dedikohet pikërisht veprës së Zhan Monesë projekti për një komunitet të përbashkët të qymyrit dhe çelikut. Pasi u konstatua opinioni i favorshëm i aleatit amerikan për një riafrim total të Gjermanisë Perëndimore, hipoteza e një riarmatimi gjerman dhe një pajtimi tërësor mes Gjermanisë dhe Francës nuk mund të mos kalonte nga një marrëveshje në fushën e burimeve energjetike (nyja antike e Ruhr dhe Saar). Propozimi i Monesë gjeti një aleat tek ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, i cili në maj 1950, në një konferencë shtypi shpalli idenë për të vendosur prodhimin franko-gjerman të qymyrit dhe çelikut nën një autoritet të përbashkët. Bëhej fjalë për një projekt teknik që mori emrin Deklarata Schuman dhe me të cilin, në fjalët e realizuesit të tij, “çdo lloj lufte mes Francës dhe Gjermanisë bëhet jo vetëm e paimagjinueshme, por materialisht e pamundur”. Pasoja e menjëhershme e këtij projekti është “filozofike”: që nga ky moment e tutje, kur një çështje e caktuar ndan disa shtete evropianë, zgjidhja e saj duhet të vijë jo nga marrëveshje dypalëshe, por nga krijimi i institucioneve të përbashkët me mjete të interesit të përgjithshëm. Nuk kish më marrëveshje ndërqeveritare, por “komunitare”.

Tashmë ish mbjellë fidani i parë i Komunitetit Evropian. Një tjetër aspekt thelbësor ishin modalitetit e hyrjes në këtë projekt: Komuniteti nuk lindi nga një akord unanim i të gjithë shteteve perëndimorë, por do të pranonte gradualisht të gjithë ata që ndërkohë do të donin të integroheshin. Një qasje pragmatiste ajo e Schuman, i cili kish kapërcyer polemikat e vazhdueshme mes unionistëve dhe konstitucionalistëve. Në të njëjtën kohë, në 24 tetor kryeministri francez, Rene Pleven, mori një nismë në fushën e mbrojtjes: është Komuniteti Evropian i Mbrojtjes. Projekti që parashikonte riarmatimin e Gjermanisë dhe angazhimin aktiv të saj – qe i destinuar të dështonte pavarësisht mbështetjes prej Ansamblesë së KE.

Në 30 gusht 1954, ishte paradoksalisht pikërisht Ansamblea Kombëtare franceze, që duke reflektuar skepticizmin e forcave politike franceze bojkotoi ratifikimin. Në dështimin e KEM nuk mund të mos konsiderosh rëndësinë e një situate të re politike ndërkombëtare dhe kombëtare franceze. Në 1953 u duk se vdekja e Stalinit do të shkaktonte një përmirësim të marrëdhënieve mes Lindjes dhe Perëndimit. Kësaj iu shtua pastabiliteti politik i Republikës IV franceze, kushtëzuar nga sjellja e kryeministrit Mendes France, krejt pasiv në debatin evropian, si dhe shumë pak luftarak sa i përket kundërshtimit të golistëve dhe komunistëve ndaj projektit mbrojtës superkombëtar.

Në 18 prill 1951, në Paris u firmos traktati themelues i KEQC.

Institucioni do të udhëhiqej nga një autoritet mbikombëtar, nga një Këshill Ministrash i përbërë nga përfaqësues të qeverive të shteteve anëtarë dhe nga një ansamble parlamenare. Raporti mes Autoritetit të Lartë dhe Këshillit të Ministrave erdhi pas një kompromisi të shkëlqyer mes dy vizioneve, federalist dhe konfederalist. Nga ky komunitet do të lindte Evropa e të Gjashtëve (Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu, Vendet e Ulta, Gjermania Perëndimore).

Vitet ’50-të ishin një periudhë plot avantazhe për progresin e idesë evropeiste, shumë më tepër se sa dekada pasardhëse. Pas suksesit të komunitetit, Evropa drejtohej tashmë për nga krijimi i institucioneve të tjerë të ekuilibruar sa u përket dy parimeve të ndryshëm evropeistë.

“Memorandumi Spaak” (që mori emrin e politikanit belg Paul Henri Spaak) në 1955 u bë baza e projektit të ri të Evropës, si dhe paralajmëroi krijimin e dy komuniteteve: i pari, tregu i përbashkët që përfshinte heqjen e pengesave e tarifave doganore, adoptimin e politikave të përbashkëta tregtare, si dhe “lëvizjen e lirë të punëtorëve, mallrave dhe kapitalit”; i dyti kish të bënte me zhvillimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore. Ky propozim u bë bazë e diskutimeve në dyvjeçarin që pasoi.

Në pranverën e 1956, Këshilli i Ministrave aprovoi raportin e Komisionit Spaak dhe nisën kështu në Bruksel negociatat për krijimin e CEE dhe EURATOM. Në këtë fragment historik duhet të konsiderohen disa ngjarje që pa asnjë dyshim kontribuarn në ndryshimin e klimës së gjendjes së krijuar pas dështimit të KEM për shak të Francës: mbi të gjitha evolucioni i Partisë Socialdemokrate gjermane, udhëhequr nga sekretari Ollenhauer drejt pozicioneve evropeistë, faktor që do t’i zgjidhte duart politikës së kryeministrit Adenauer; në vijim, humbja e golistëve (kundërshtarë të Evropës) në zgjedhjet e janarit 1956, që sollën lindjen e një qeverie franceze më favorizuese për diskutimin evropeist. Kriza e Kanalit të Suezit në Egjipt dhe ndërhyrja e armatosur sovjetike në Hungari në të njëjtin vit ishin më pas nxitëset vendimtare për “hedhjen me kokë” në projektin evropeist.

Suezi i kish vënë përballë një realiteti të ashpër francezët dhe anglezët: ekuilibrat e dy blloqeve të kundërvënë mes superfqive impononin një pax ruso-amerikan.

Kriza energjetike që pasoi ngjarjet e Suezit, si dhe presionet sovjetike e amerikane për të detyruar parashutistët anglo-francezë që të hiqnin dorë nga projekti i ndërhyrjes kundër Egjiptit, kishin shtrënguar shtetet evropianë që të mendonin si të mundur, të paktën në terma afatgjatë, mundësinë e një sistemi të përbashkët të mbrojtjes, i cili, duke menduar ngarjet e Budapestit bëhej i domsodoshëm: imperializmi sovjetik qe një rrezik konstant. Në 25 mars 1957, në Romë, qeveritë e Gjashtëshes firmosën dy traktate të rinj evropianë që i dhanë jetë CEE dhe Euratomit. 7 vjet më vonë, në prill 1965, një “traktat bashkimi” do të sanksiononte unifikimin e CEE, CECA dhe EURATOM.

Në mars të vitit 1958 do të mblidhej për herë të parë Ansamblea Parlamentare e përbërë nga 142 delegatë që vinin nga Parlamentet respektivë kombëtarë dhe që kryesohej nga Robert Schuman. Konsolidimi i Komunitetit Evropian do të ndodhte në 30 vitet që do të pasonin, gjithnjë me hapa të vegjël. Mbi të gjitha, do të rregjistrohej zgjerimi në të gjithë shtetet e Evropës Perëndimore

Fillimisht, komuniteti i sapolindur duhej të përballej me mosbesimin e Britanisë së Madhe, gjithmonë kulturalisht hezituese për të patur raporte shumë të ngushta me kontinentin. Ndërsa Shtetet e Bashkuara u demostruan që në fillim mbështetëse të forta të forcimit të Evropës në funksion antisovjetik. Vitet ’50-të u mbyllën me iniciativën e disa shteteve evropiane për krijimin e një zone të shkëmbimit të lirë rajonal, organizim që më vonë do të merrte emrin EFTA.

Vitet ’60-të premtonin të ishin vite ngjitjeje në ndërtimin e kështjellës evropiane. Në 1958, Charles de Gaulle qe kthyer në pushtet në Francë; ndonëse tashmë qe i prirur për një evolucion në drejtimin evropian, gjenerali karizmatik ndoqi gjithmonë një kurs të matur të afrimit me Evropën. Mosbesimi i de Gaulle, njeri i lidhur për shkak të formimit kulturor dhe breznor me ekuilibrat e vjetër gjeo-strategjikë të një bote tashmë në perëndim, shkonin kundër rivalit të përhershëm, Britanisë së Madhe. Natyrisht, ndikimi politik i Londrës mbi kontinentin nuk shihej me sy të mirë nga Parisi. Që nga viti 1961, qeveria konservatore angleze, e drejtuar nga Harold MekMillan, demonstroi një prirje të papritur drejt Komunitetit Evropian. Raportet preferencialë të Londrës me vendet e Komonuelthit e kushtëzonin diskutimin, sepse Londra do të donte të kish nga Evropa një trajtim të ngjashëm (dhe domethënë preferenciale).

Ndërkohë, politika goliste i kundërvihej gjithmonë me vendosmëri çdo lloj hipoteze mbikombëtare. Koncepti i qeverisë franceze bazohej në bashkëpunimin e privilegjuar, por francezët ishin shumë mosbesues ndaj krijimit të institucioneve evropianë. Plani Fushe, nxitur nga Franca, nuk është veçse reflektimi i këtij vizioni poliik, vë theksin në një bashkëpunim me bazë ndërqeveritare. Plani dhe strategjitë franceze nuk u pritën mirë në Uashington ku presidenti Kenedi u shpreh qartësisht në favor të unitetit evropian pa hezitim, për të krijuar një “partneritet mes të barabartish”, mes Evropës dhe SHBA, një tjetër shtyllë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. De Goli shihte në këto lëvizje amerikane dhe në raportin preferencial mes Uashingtonit dhe Londrës, rreziqe autentikë ndaj pavarësisë evropiane, e si pasojë edhe franceze. De Gol do t’i kundërvihej gjtihmonë hyrjes së Britanisë me të drejta të plota të KE. Në fillim të viteve ’60-të, gjenerali ndoqi një politikë afrimi me Gjermaninë për të ritheksuar rëndësinë e raporteve ndërqeveritare, por vendomëria e Bundestagut që konfirmoi besnikërinë ndaj NATO dhe CEE do të sanksiononte fundin e kësaj politike të bazuar vetëm mbi shtetet. Vitet e fundit të krenarisë së Parisit do të ishin braktisja e komandës së integruar të NATO, në maj 1966 dhe politika e “karrikes bosh” në Këshillin e Ministrave evropianë pas vendimeve të kompromisit të Luksemburgut të janarit 1966. Ky kompromis thoshte që, përballë përplasjeve ndërkombëtare duhej të kërkohej gjithsesi një konsensus i përbashkët, më pak i dhimbshëm për shtetet. Në fakt, Franca ishte për ndjekjen e interesave kombëtare. De Gol u largua nga pushteti në 1969.

Fundi i viteve ’60-të pa një ngritje të madhe morale të komunitetit.

Presidenca e re franceze e Zhorzh Pompidu rezultoi diametralisht e kundërt me atë të De Gol. Propozimi i parë i Parisit qe në fakt mbledhja e menjëhershme e një samiti evropian. Kështu që, në 1 dhe 2 dhjetor u mblodh në Hagë një samit që vendosi disa objektiva thelbësorë: zgjerimin e KE, përcaktimin e një unioni monetar dhe ekonomik, si dhe rihedhjen e hipotezës së unifikimit politik. Ishte praktikisht strategjia që do të çonte drejt Maastrichtit.

Në vitin 1973, Mbretëria e Bashkuar hyri përfundimisht në Komunitetin Evropian: referendumi i organizuar nga kryeministri laburist Harld Uilson sanksionoi fitoren e PO-së së hyrjes me 67.2 përqind të votave. Tashmë, KE mund të synonte zgjerimin drejt jugut. Rruga drejt Maastrichtit u shtrua prej Raportit Verner: në vitin 190, ai vuri theksin në rëndësinë e një tregu të përbashkët evropian, që do të kish në themel bashkimin monetar. Futja e një monedhe të përbashkët do të kërkonte krijimin e një organi qendror mbikombëtar për të marë vendime, si dhe bashkërenduar politikat ekonomike të shteteve të ndryshëm. Plani fiksoi edhe një kalendar që sanksiononte krijimin e bashkimit monetar në 1980.

Por kriza ekonomike dhe energjitike e 1973 e anoi këtë projekt.

Në vitet që pasuan, Franca dhe Gjermania nxitën për kriimin e një sistemi monetar evropian, që do të bazohej në një monedhë referuese të quajtur ECU.

Këshilli i Brukselit në dhjetor 1978 do të sanksiononte fitoren e kësaj ideje. Në mars 1979 u krijua kështu sistemi monetar evropian. Në 7 dhe 10 qershor të të njëjtit vit u zhvilluan të parat zgjedhje me të drejtë vote universale për në Parlamentin evropian, që do të mblidhej në korrik në Strasburg. Tashmë, fitorja e federalistëve dukej e sigurtë. Por, në fillimin e viteve ’80-të do të shfaqeshin pengesa të reja në horizont.

Zhak Delor, president i Komisionit Evropian nga 1985 deri në 1995 dhe Margaret Theçer, “zonja e hekurt” e qeverisë britanike, një euroskeptike e deklaruar, përfaqësuan dy këndvështrime kundërvënës në zhvillimin e ri evropian. Ngadalësimi i marshimit drejt Evropës përfundoi me krizën e euroraketave, një prej më të rëndave në kohën e Bllokut të Berlinit. Në vitin 1979, sovjetikët kishin pushtuar Afganistanin, duke hyrë kështu në Vietnamin e tyre personal dhe tashmë i kishin drejtuar raketat e tyre SS-20 për nga kryeqytetet perëndimorë. Në Poloni, gjenerali Jaruzelski vuri në jetë një grusht shteti. Ftohja Lindje-Perëndim solli edhe një herë një solidaritet perëndimor. Qeveritë që erdhën në pushtet në Evropë do të ishin të gjitha, përveç asaj britanike, haptas evropeiste (Miteran në Francë, Kol në Gjermani dhe Gonazles në Spanjë).

Në sallën e Parlamentit evropian do të rezultonte shumë i rëndësishëm aktiviteti i Alterio Spinelit, federalist italian i orës ë parë, i cili do të përpiqej fort për redaktimin e një projekt-traktati që do të sillte në jetë Bashkimin Evropian. Në këtë optikë, Parlamenti evropian fitoi rëndësi të re. Në shkurt 1986 u firmos Akti Unik, frut i një konference ndërqeveritare në vitet e mëparshëm. Akti Unik është praktikisht një reformim i Traktatit të Romës në 197: ai synonte shkathësimin e procesit vendimarrës brenda KE. Akti Unik parashikonte heqjen deri në 1992 të kufijve tregtarë e profesionalë brenda vendeve anëtarë të KE. Akti Unik, ndonëse një moment i rëndësishëm historik në procesin e bashkimit të Evropës, nuk u kursye nga kritikat, mbi të gjitha nga ana e federalistëve si vetë Spineli (“u mbars mali e polli një mi”).

Forcat konservatore të vendeve të ndryshëm akuzonin këtë projekt evropian si një burokratizim të tepërt: në fundin e viteve ’80-të nuk dukeshin të pakët euroskeptikët, të cilët druheshin se Evropa do të shndërrohej në një monstër burokratike larg interesave lokale. Ndërkohë, forcat e ashtuquajtura progresiste, nga ana e tyre, shihnin në Evropën që po lindte në teatër operacionesh liberiste.

Ndërkohë, zgjerimi i projektit evropian përfshiu edhe shtete të tjerë. Më 15 shkurt 1991, Çekosllovakia, Polonia dhe Hungaria firmosën një marëveshje bashkëpunimi që përfaqësonte të parin integrim rajonal që nga fundi i regjimeve komuniste në Lindje. Në 21 shkurt, Çekosllovakia u bë vendi i 25-të anëtar i Këshillit të Evropës. Në 19 qershor, Shqipëria mori pjesë në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian. Nuk ka asnjë dyshim që rëna e regjimeve komuniste në Evropën Lindore në 1989 kish sjellë një ndryshim të thellë në skenarin ndërkombëtar. Në 9 nëntor 1989, bashkë me Murin famëkeq të Berlinit, ranë edhe të gjithë strategjitë evropeiste që konsideronin si terren veprimi vetëm Evropën Perëndimore. Në këtë moment erdhi edhe triumfi i Helmut Kohlit: bashkimi i dy Gjermanive. Një projekt ky që, në atë moment haste më shumë pengesa tek aleatët perëndimorë (e pavdekshme batuta e Xhulio Andreotit: “E dua kaq shumë Gjermaninë, sa dua dy të tilla”), se sa tek Moska e Gorbaçovit.

80 milion gjermanë të bashkuar shkaktonin frikë, Gjermania po shndërrohej në kombin më të fuqishëm të kontinentit, nga pikëpamja demografike e mbi të gjitha ekonomike. Koli po sforcohej gjithmonë për të siguruar aleatët, mbi të gjitha Francën. Në marshimin drejt Maastrichtit do të kish kohë edhe për një projekt në fushën e mbrojtjes mes Gjermanisë dhe Francës: në tetot 1991, Miteran dhe Kol u propozuan aleatëve evropianë një përforcim të UEO, si “pjesë integrale e procesit të bashkimit evropian”, natyrshëm pa kompromentuar raportet brenda Aleancës Atlantike, që mbetej prioritet.

Një Gjermani e re fitoi kështu në pak kohë të drejtat antike politike, territoriale dhe ushtarake dhe nisi kështu një politikë zgjerimi të KE drejt lindjes. 1991 – vit historik, mbi të gjitha për shembjen e Bashkimit Sovjetik – u mbyll me Këshillin Evropian të Maastrichtit në Hollandë. Samiti i të gjithë vendeve anëtarë të KE u mbyll me firmosjen e Traktatit të Unionit. Kjo marëveshje (300 nene, 17 protokolle, 36 deklarata) që duhej ratifikuar nga Parlamentet e 12 vendeve, parashikonte futjen e një monedhe të përbashkët deri në 1999. Përtej këtij hapi historik, Maastrichti paralajmëronte krijimin e një ane të përbashkët të Komunitetit Evropian, si dhe realizimin e një politike të përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes. Marrëveshje të rëndësishme do të arriheshin edhe në fushën fiskale e tregtare. Pas Aktit Unik, mbi të gjitha pas Maastrichtit, strategjia e hapave të vegjël dhe kompromisit qe ezauruar. Madje, me adoptimin e monedhës së përbashkët dhe një strategie të përbashkët të mbrojtjes, Maastrichti ishte tashmë një hap vendimtar në vizionin mbikombëtar. Evropa kaloi kështu nga një Komunitet, në një Union.

 

 

Fjalimi i Winston Churchill në Zyrih, 1946: “Le të ngrihet Evropa”

Dëshiroj të flas sot për tragjedinë e Evropës, këtij kontinenti fisnik… themelit të besimit kristian dhe etikës kristiane. Eshtë origjinë e pjesës më të madhe të kulturës, artit, filozofisë, dhe shkencës së kohërave të lashta dhe moderne. Nëse Evropa qe dikur e bashkuar në trashëgiminë e përbashkët, nuk kish kufi në lumturinë, prosperitetin dhe lavdinë që gëzonin 300 apo 400 milion banorë të saj. E megjithatë, pikërisht nga Evropa kanë buruar ato grindje të frikshme nacionaliste, që e kanë origjinën nga kombet teutonikë në fuqizimin e tyre, luftëra që kemi parë në këtë shekull e që edhe në kohën kur jetojmë shkatërrojnë paqen dhe gjymtojnë perspektivën e njerëzimit… Në zona shumë të gjera ekziston një masë e madhe qeniesh njerëzore të munduar, të uritur, të dërrmuar dhe të hutuar, që presin në rrënojat e qyteteve të tyre dhe shohin nga horizontet e errët për afrimin e ndonjë forme të re tiranie apo terrori.

BABEL

Mes fitimtarëve ka një balet zërash, mes të mundurve një heshtje e zymtë dëshpërimi. Këtë kanë marrë të gjithë evropianët të grupuar në kaq shumë shtete e kombe të lashtë dhe këtë kanë marrë të gjithë racat gjermanike, duke dëmtuar njëri-tjetrin dhe përhapur shkatërrim. Në fakt, po të mos kish qenë ajo republikë e madhe përtej Oqeanit Atlantik që kuptoi herët se shkatërrimi apo skllavërimi i Evropës do të mbërrinte dikur edhe atje, atëherë Epoka e Errësirës do të ish kthyer me të gjithë mizorinë dhe mjerimin e vet.

Sërish mund të kthehet. E megjithatë ka një ilaç që, nëse do të përdorej përgjithësisht dhe spontanisht nga shumica e popujve në shumë vende, do të transformonte si një mrekulli të gjithë skenën dhe në pak vite do ta bënte Evropën, apo pjesën më të madhe të saj, po aq të lirë e të lumtur sa është Zvicra sot.

Çfarë është ky ilaç? Eshtë rikrijimi i “stofit” evropian dhe t’i sigurohet atij një strukturë nën të cilën mund të përparojë në paqe, siguri e liri. Ne duhet të ndërtojmë një lloj Shtetesh të Bashkuara të Evropës. Vetëm në këtë mënyrë, qindra miliona punëtorë do të jenë në gjendje të rishijojnë gëzimet e thjeshtë dhe shpresat të cilat e bëjnë të vlefshme jetën.

Procesi është i thjeshtë. Nevojitet vetëm vendosmëria e qindra miliona burra dhe gra për të bërë gjënë e duhur dhe jo të gabuarën dhe si shpërblim të marrin bekim dhe jo mallkim.

… Nuk ka asnjë arsye përse një organizatë rajonale e Evropës të bjerë ndesh me organizatën botërore të Kombeve të Bashkuara. Përkundrazi, mendoj se sinteza më e madhe mund të mbijetojë vetëm nëse bazohet mbi grupime natyrorë. Ekziston tashmë një grupim natyror në hemisferën perëndimore. Ne britanikët kemi komonuelthin e kombeve. Këta nuk e dobësojnë, përkundrazi, e forcojnë OKB. Dhe janë në fakt mbështetja kryesore.

… Ne të gjithë dimë se dy luftërat botërore që kaluam, e kishin burimin tek pasioni i kotë i Gjermanisë së sapobashkuar për të luajtur një rol dominues në botë. Në këtë betejë të fundit janë kryer krime dhe masakra të cilat nuk kanë paralel, që nga koha e pushtimeve mongole në shekullin XIII. Fajtorët duhet të ndëshkohen…

Por pasi kjo të jetë kryer, siç do të kryhet, duhet t’i jepet fund ndëshkimit. Duhet të vijë ai që Gladstone e quajti vite më parë “Akti i bekuar i harresës”. Ne të gjithë duhet t’u kthejmë shpinën tmerreve të së kaluarës dhe duhet të shohim nga e ardhmja. Nëse Evropa duhet të shpëtojë nga mjerimi i pafund dhe në fakt nga fundi i saj, duhet të vijë ky akt besimi në familjen evropiane, ky “akt harrese kundër të gjithë krimeve dhe marrëzive të së kaluarës”.

… Tani dua t’ju them diçka që do t’ju befasojë. Hapi i parë në rikrijimin e familjes evropiane duhet të jetë një partneritet ndërmjet Francës dhe Gjermanisë. Vetëm në këtë mënyrë Franca mund të rifitojë lidershipin moral dhe kulturor të Evropës. Nuk mund të ketë ringjallje të Evropës pa një Francë të madhe shpirtërisht dhe pa një Gjermani të madhe shpirtërisht.

Struktura e Shteteve të Bashkuara të Evropës do të jetë e tillë që do ta bëjë më pak të rëndësishme forcën materiale të një shteti të vetëm. Vendet e vegjël do të kenë po aq rëndësi sa të mëdhenjtë, si dhe do të fitojnë nderin e tyre duke kontribuar në kauzën e përbashkët. Shtetet dhe principatat e lashta të Gjermanisë, lirisht u bashkuan në një sistem federal, kështu mund të ndodhë edhe me Shtetet e Bashkuara të Evropës.

KATËR LIRITË

Nuk do të përpiqem të ofroj një program të detajuar. Ka qindra miliona njerëz që duan të jenë të lumtur e të lirë, në prosperitet e të sigurtë, të cilët duan të gëzojnë katër liritë për të cilat foli Presidenti Ruzvelt, si dhe të jetojnë në përputhje me parimet e mishëruara në Kartën e Atlantikut. Nëse kjo është dëshira e tyre, nëse është dëshira e evropianëve nga shumë vende, ata mjafton ta thonë dhe me siguri që mund të gjenden mjetet për të ngritur makinerinë që do të plotësonte këtë dëshirë.

Por më duhet t’ju paralajmëroj. Koha mund të jetë e shkurtër. Për momentin ka hapësirë frymëmarrjeje. Topat kanë pushuar së qëlluari. Luftimet janë ndalur, por rreziqet nuk janë ndalur. Nëse duhet të krijojmë Shtetet e Bashkuara të Evropës, apo çfarëdo emri që do të kenë, duhet të fillojmë që tani.

Në këto kohë, ne jetojmë çuditërisht dhe të pasigurtë nën mburojën e bombës atomike. Bomba atomike është ende në duart e një shteti e kombi që e dimë se nuk do ta përdorë asnjëherë, përveçse në kauzat e lirisë dhe të drejtës, por mund të ndodhë që pas disa vitesh ky mjet shkatërrimi mund të përhapet dhe ai do të sillte jo vetëm një fund të qytetërimit, por edhe një shpërbërje të vetë globit.

Më lejoni tani të përmbledh propozimet e mia. Synimi ynë i pandryshueshëm duhet të jetë ndërtimi dhe forcimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Brenda këtij koncepti për botën ne duhet të krijojmë familjen evropiane në një strukturë rajonale të quajtur – ndoshta – Shtetet e Bashkuara të Evropës dhe hapi i parë praktik do të ishte krijimi i Këshillit të Evropës. Nëse në fillim shtetet e Evropës nuk duan apo nuk janë në gjendje të hyjnë në union, ne megjithatë duhet të vazhdojmë duke afruar ata që duan dhe munden.

… Në këtë vepër urgjente, Franca dhe Gjermania duhet të marrin së bashku udhëheqjen. Britania e Madhe, Komonuelthi Britanik, Amerika dhe besoj, Rusia sovjetike duhet të jenë miq dhe mbështetës të Evropës së re, si dhe duhet të përkrahin të drejtën e saj për të jetuar. Kështu që, unë ju them: “Le të ngrihet Evropa”./ ELIDA BUÇPAPAJ Botuar më 11.25.2010

blank

“Komisarët ndërhynin për të martuar një vajzë e një djalë kinez dhe celebrimi bëhej në zyrën e sekretarit të partisë”- Kujtimet e ish-pilotit nga Tepelena

Niazi Nelaj

Të përzënë nga shkolla sovjetike e Aviacionit, me ëndrra të prera në mes, një pjesë e grupit të studentëve për pilotë, që kishim studiuar një vit në qytetin e Batajskut, më 8 janar të vitit 1962, pas një lundrimi “skëterrë”, me një anije mallrash, mbërritëm në qendrën e Shkollës së Tretë të Aviacionit Ushtarak të Kinës, në qytetin Çin Zhou. Ai ndodhet në “zemër” të Mançurisë; në atë kohë kishte rreth 200.000 banorë. Pa ndonjë industri të spikatur. Një qytet me ndërtime 2-3 katëshe por me rrugë të asfaltuara. Terreni përqark qytetit ishte fushor; pranë tij janë brigjet Perëndimorë të Detit të Verdhë. Njëra nga vlerat e këtij qyteti mbahej fakti që aty ishte qendra e Shkollës së Tretë të aviacionit ushtarak të Kinës. Vajtja ime në këtë shkollë e në atë qytet ishte një rast fatlum. Në listën prej 7 studentësh të kursit tonë ku bënin pjesë: Adem Çeça, Dhori Zhezha, Mihal Pano, Bashkim Agolli, Andrea Toli dhe Sherif Hajnaj (Bracki), u përfshi, fare rastësisht dhe emri im, Niazi Nelaj.

Duket sikur në këto kujtime u kam mëshuar më tepër anëve negative. E kundërshtoj, madje kategorikisht një gjykim të tillë. Jeta i ka të dyja anët, pranë e pranë e ato nuk mund të veçohen nga njëra –tjetra, mbasi humbasin kuptimin. Në këtë shkrim, nëse kam renditur disa gjëra jo aq të këndshme, ju siguroj se aq sa mbaj mend e aq sa mundem, dua të nxjerr në pah jetën reale të njerëzve; pa e nxirë atë; por dhe pa e lustruar. Kujtimet dhe mbresat janë informacion për gjëra që i kam përjetuar individualisht.

 

Nëse në ndonjë rast përshkrimi i tyre merr theks negative, fajin nuk mund ta marr përsipër. Problemet i kam shkruar e i kam thënë troç, me gjuhën që kanë e me vërtetësi të padiskutueshme. Le të kemi parasysh se në kohën kur unë dhe shokët e mi jetuam, mësuam e, fluturuam në Kinën e atyre viteve, gjërat nuk ishin siç i shikojmë sot. Kina, sidomos në kohët e fundit ka bërë aq progres sa mund të radhitet, në ndonjë drejtim edhe e kalon nivelin e vendeve më të zhvilluara të globit.

 

Unë shkruaj atë që kam parë e që kam përjetuar, në ata vite. 50 vitet që kanë pasuar kanë sjellë ndryshime me hapa galopant në ekonominë, shkencën, teknikën, teknologjinë dhe në rritjen e mirëqenies të njerëzve të atij vendi gjigant. Komentet, secili le t’i bëjë sipas pozicionit që ka zgjedhur; unë them vetëm të vërtetën, siç ka qenë; për këtë përgjigjem.

blank

Mund të duket e pamundur kjo që do t’u tregoj por ju siguroj që kështu ka qenë. Disa herë u kishim kërkuar atyre që organizonin jetesën tonë, të na çonin në një familje kineze, për të parë nga afër jetën e atyre njerëzve. Asnjëherë nuk morëm një përgjigje për kërkesën tonë. Motivet e refuzimit nuk i mësuam dot. Atëherë, së bashku me shokët, siç e kishim bërë porosinë pranë autoriteteve të shkollës, vendosëm të shkonim në një kinema qytetëse, për të parë një film të ri të prodhimit indonezian, i cili kishte bërë bujë.

blank

Intendenti i shkollës na siguroi biletat; përkthyesit nuk na u ndanë as në këtë rast. U futëm në kinema dhe kërkuam të uleshim në vendet ku kishim biletën. Hapësirat e kinemasë ishin tejet të populluara. Përfytyrimi ynë nuk e rrokte dot atë katrahurë. Të gjitha karriget ishin të zëna. Vetëm vendet tona ishin bosh. Kundra biletën e respektonin. Aty pamë njerëz të ulur në hapësirat që ndanin radhët, në shkallë, midis lozhave e ku të mundnin. Aq sa vende kishte, ishin të ulur; të tjerët qëndronin në këmbë dhe e ndiqnin shfaqjen e filmit, ashtu.

 

Njerëzit, në kinema, jo vetëm uleshin sipas qejfit por dhe silleshin si ta gjykonin me vend. Pinin cigare, pështynin për tokë, bisedonin, lëshonin dhe ndonjë p…., me zë e pa zë, pa teklif etj. Të zihej fryma në atë mjedis të mbipopulluar e kaotik. Dikur, në kinematë e qytetit të Vlorës, por jo vetëm, nuk mund të shikoje film. Disa djem që e kishin parë filmin, qysh në sekuencat e para, i’a nisnin tregimit të filmit e të dukej vetja kot, nuk kishte interes të qëndroje më tej në kinema.

blank

Pastaj nisnin komentet me zë të lartë. Të paktën në kinematë e kinezëve, njerëzit rrinin urtë. Veç një gjë nuk shkonte me mentalitetin tonë. Në kinema, në qytetin ku jetuam, hynin për të parë film, jo aq njerëz sa vende kishte salla por, aq sa njerëz ishin përpara kinemasë, në rrugë. U habita e u trishtova nga ajo pamje e paparë.

blank

Një ditë, m’u dha rasti të bisedoja me një pilot kinez. Në shkollë, përveç instruktorëve të fluturimit, oficerët e tjerë, mes tyre dhe pilotët, stërviteshin e jetonin veç nesh. Piloti me të cilin bisedova ishte i ri, i shëndetshëm, i gjatë, me shpatulla të gjera e me moshë rreth 26 vjeç; beqar. I thashë bashkëbiseduesit: “Përse nuk martohesh ti, Sjao Li”? Ai nuk hezitoi fare të më përgjigjej, madje me sinqeritet tha: “Unë do të martohem, kur të çlirojmë Amerikën”!

blank

E mora përgjigjen që kërkoja. Kështu i mëkonte propaganda e kohës. Ato që pashë më vonë, në atë garnizon, më bindën se piloti me të cilin bisedova, e kishte seriozisht. Disa rregulla sjellje lidhur me martesën dhe familjen, në ato vite ishin të ngurta e të detyrueshme. Ushtarakët mund të martoheshin mbasi të kishin mbushur moshën 28 vjeç.

Asnjë çift nuk mund të lindte më tepër se 2 fëmijë. Burri ushtarak, me gruan mund të flinin bashkë vetëm të shtunën; në ditët e tjera, edhe po të banonin në të njëjtin garnizon, flinin veç. Burri ushtarak flinte në kapanon që të ishte në çdo kohë i gatshëm. Do t’ju tregoj dhe një gjë e cila më dukej origjinale dhe e pa konceptueshme:

Shumë oficerë ishin të martuar, por gratë e tyre punonin e jetonin disa qindra, ndoshta dhe më tepër kilometra larg. Adjutanti i garnizonit, në fillim të vitit hartonte një grafik, siç bëheshin grafikët tek ne, për lejet e zakonshme të oficerëve. Bashkëshortja e çdo ushtaraku të garnizonit, mund të vinte pranë burrit e të qëndronte disa ditë apo javë (1-3 javë) në repart por, me burrin do të flinte vetëm ditën e shtunë.

Për këtë qëllim, në territorin e garnizonit, ishin ndërtuar disa ngrehina, si depot e ushtrisë tonë nëpër pikat e hapjes, të dikurshme, ku flinin çiftet, pa kurrfarë komoditeti. Në dhomat e këtij lloji, kisha parë një krevat dopio, një dollap rrobash, një tavolinë, dy karrige dhe një pasqyrë, në mur. Bashkimi i çiftit bëhej rigorozisht sipas rregullave të caktuara, vetëm të shtunave. Kontraceptivët, në atë kohë shiteshin lirisht, gjendeshin kudo e kushtonin mjaft lirë.

Lidhjet martesore dhe dasmat mes kinezëve ishin mjaft interesante. Brenda garnizonit, më kishte rastisur të isha pjesëmarrës në disa të tilla. Komisari i repartit, i cili në njësinë ku drejtonte, kishte disa oficerë beqarë, shkonte në një ndërmarrje ku punonin vajza, të pa martuara. Atje takonte sekretarin e partisë; bisedonin të dy dhe binin në ujdi për të bërë “krushqi”. Po të vendosnin dy komisarët, të cilët bëheshin garantë për të rinjtë, lidhja ishte e përfunduar. Nuk di nëse dy të rinjtë takoheshin, njiheshin e bisedonin me njëri-tjetrin.

Kam qenë i pranishëm, së bashku me shokët e mi, në një dasmë ku dhëndër ishte një ushtarak e nuse, një punëtore nga ndërmarrjet e qytetit. Në ditën për të cilën kishin rënë dakord “shefat”, organizohej dasma. Vendi ku zhvillohej ceremonia e martesës, si rregull ishte dhoma e partisë. Bëhet fjalë për Partinë Komuniste të Kinës. Ritet e ceremonisë martesore, ishin të thjeshta e interesante. Për ne, ato ishin të papara e të padëgjuara.

Dhoma e Partisë ishte e pastruar dhe e sistemuar për ceremoninë e dasmës. Tavolinat dhe karriget ishin vendosur rreth e qark sallës, në një radhë. Në ballinë të sallës, ishte vendosur portreti i Kryetarit Mao Ce Dun. Në tavolinën qendrore ulej nusja, dhëndri, komisari i repartit, sekretari i partisë i ndërmarrjes dhe disa të tjerë, të zgjedhur, nga të dyja palët. Ne, shqiptarëve na kishin vendosur së bashku, në njërën anë.

Të gjithë pjesëmarrësit ishin të veshur me uniformën më të mirë, të pastër dhe fytyrat e tyre ishin të qeshura e të gëzuara. Nusja ishte e veshur, sipas rastit, me pantallona e bluzë (xhaketë), ose me xhup, (në dimër). Dhëndri, gjithmonë me uniformë ushtarake. Nuk ishte praktikë që nusja të vishej me fustan të bardhë. Një gjë e tillë hynte në nuancat e sjelljes borgjeze. Nëpër tavolina ishin vendosur disa pjata (pjatanca) me kikirikë, të pjekur, të pa qëruar.

Ceremoninë e martesës e fillonte njëri nga komisarët. Ai theksonte se kjo martesë ishte lidhur sipas porosive dhe mësimeve të Kryetarit Mao Ce Dun, i cili, ndër porositë kryesore për gruan, në citatet me kapakë të kuq, theksonte: “Mos i bjer në qafë gruas”! Lexoheshin pjesë nga citatet, të gjithë qeshnin, gajaseshin dhe duartrokisnin. Çifti deklarohej i martuar kur përfundonte “riti” i leximit të citateve të Mao Ce Dunit.

Nuk putheshin, as nuk përqafoheshin të sapomartuarit. Madje as duart nuk toknin por, sipas traditës kineze, nxirrnin përpara, të shtrira, dy duart, puqnin shputat e duarve dhe përkuleshin, në nderim të shoqi- shoqit. Shpërthenin duartrokitjet, pjesëmarrësit në ceremoni hanin kikirikë e kështu dasma merrte fund. Dhëndri, kishte të drejtë të flinte me nusen, sipas rregullit të përgjithshëm, vetëm në ditët e shtuna. Në ditët e tjera të javës, zbatohej praktika: “Shih me sy e plas, me zemër”! Nuk bëhej fjalë për dhurata, shkëmbim unazash e “teprime” të tjera, të cilat etiketoheshin si mënyrë borgjeze e të jetuarit.

Në garnizonin ushtarak, në të cilin jetonim e stërviteshim, kushtet për t’u argëtuar e relaksuar ishin të kufizuara. Ishim të gjithë të rinj. Mosha mesatare jona, nuk i kalonte 21 vjeçët. Jetonim larg familjeve tona, e mjediseve të njohura shqiptare. Kishim mall për njerëzit tanë e për shoqërinë që kishim lënë pas. Ishim të përkëdhelur nga jeta në një vend më të zhvilluar e më të qytetëruar, siç ishte Bashkimi i atëhershëm Sovjetik. Stërvitja ajrore, na lodhte dhe mësimet teorike nuk ishin aq të lehta.

Kërkesat tona intelektuale kishin të nevojshëm veprimtari cilësore e të vazhdueshme argëtuese, të cilat, ta themi siç ishte, qenë mjaft të kufizuara. Në jetën praktike kishim mjaft “gjerdhe” e pengesa. Me ne ndodhte si me ata fëmijët, të cilët sapo janë ngritur në këmbë e, mamaja u thotë: “Mos e bëj atë e, mos e prek këtë, atje është pis e aty është xix” etj. duke e kufizuar lirinë e tij, nëpërmjet një kontrolli të rreptë.

Televizioni ishte në hapat e parë; në shkollë nuk kishim asnjë aparat televiziv. Radioja kineze transmetonte njoftime të cilat nuk i kuptonim, kurse muzika e vendasve, nuk para ngjiste tek ne. Kur ishim në Batajsk, çdo të shtunë shkonim në mbrëmje vallëzimi, ku vajzat mbanin radhë, mbasi djemtë ishin të paktë. Provuam të shkonim në një kinema, siç e kam përshkruar më sipër e atje u pataksëm nga sa pamë.

Grupet folklorike aq të pasura dhe cirku fenomenal, kinez, nuk e vizituan asnjëherë qytetin tonë kurse, veprimtaritë sportive nuk kishim si ti shikonim. Mund të them që jeta jonë shpirtërore ishte e varfër dhe e kufizuar. Në ato kushte, ishim të shtrënguar të sajonim diçka vetë, me forcat tona, në nivelet dhe mundësitë që kishim. Në gjysmën e parë të vitit 1962, Kina komuniste ishte në konflikt të armatosur me Indinë kufitare.

Konflikti kishte marrë zjarr, për çështjen e Kashmirit. Secili nga të dy vendet kufitare pretendonte se territoret në fjalë i përkisnin atij. Nuk e gjetën dot me fjalën dhe ndërsyen ushtritë, kundër njëri – tjetrit. Në kufirin midis dy vendeve fqinjë zhvilloheshin luftime e humbitnin je të njerëzish. Mançuria ku ne jetonim ishte larg nga vendi i konfliktit dhe jehona e luftimeve, tek ne vinte vetëm nëpërmjet shtypit, të cilin nuk dinim ta lexonim. As njoftimet që jepte radioja kineze, nuk i kuptonim.

Informacionin mbi zhvillimin e ngjarjeve e merrnim në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet stacioneve ruse, sipas këndvështrimit dhe interesave të tyre. Gjithsesi, njoftimet, derisa vinin tek ne, fashiteshin në rrugëtimin e gjatë. Kuptohet, ne mbanim anën e kinezëve duke u dhënë atyre të drejtë. Për t’u bërë qejfin vendasve (motivet merrini si të doni), spontanisht, me nismën e studentit për pilot, Enver Muça, nga Tirana, sajuam një skeç gazmor, për banorët e garnizonit ushtarak.

Protagonisti i skeçit, tiranasi i zgjuar e i shkathët Enver Muça, u zhvesh  e u lye me baltë, që të ngjante, si indian. Veri, ashtu, i lyer me baltë, doli përpara njerëzve, e bënte numra, si i trembur. Ai fliste fjalë, kot më kot, gjoja në gjuhën indisht. Pjesëmarrësit, të cilët, në shumicë ishin kinezë, u shkrinë së qeshuri e u argëtuan, pa masë. Numri humoristik i Verit, talenti i tij i panjohur, na pëlqeu dhe neve.

Duke ngritur lart vlerat artistike të shokut tonë, autoritetet e shkollës dhe publiku i shumtë kërkuan përsëritjen e numrit humoristik e ai u përsërit, përmes duartrokitjeve e brohoritjeve të turmës.

Në garnizonin tonë funksiononte një kinema me rreth 500 vende. Shkonim atje sa herë vinte ndonjë ansambël artistik dhe për veprimtari të ndryshme politike e festive. Si të huaj që ishim në atë mjedis, vendasit, për të na respektuar, na vendosnin në radhët e para. Kishim një vështirësi, me të cilën u përshtatëm gradualisht. Kinezët ushqeheshin kryesisht me barishte. Për këtë shkak, gjatë frymëmarrjes, ata çlironin në mjediset e përbashkëta erëra të ndryshme.

Në kinema, në mensë e në mjedise të tjerë, në fillim na zihej fryma prej tyre. Duke u ushqyer dhe ne me barishte, si ata, dalëngadalë, nuk e ndjenim aq shumë erën e rëndë. Kur morëm udhën e kthimit për në Shqipëri, gjatë gjithë ditëve të lundrimit (rreth 20 ditë, net), mbanim në gojë karamele e mente, për të larguar nga goja erën e rëndë.

Shkonim me qejf të madh në kinemanë e garnizonit tonë, për të kaluar disa çaste relaksi. Dikush i çoi në vesh, shokut tonë nga Durrësi, Dalip Xhixha, i cili nuk njihej për mendjemprehtësi, se kishte zë të mirë e mund të këndonte. I’u mbush mendja Dapes, se mund të këndonte, në publik dhe, një ditë doli në skenën e kinemasë, me mikrofon në dorë. Publiku në sallë shpërtheu në duartrokitje e brohoritje, akoma pa hapur gojën Dalipi.

Siç duket, vendasit i dhanë problemit ngjyra politike: një student shqiptar do të këndonte, solo, në një skenë aq të madhe. Mori kurajo Dapja ynë e, filloi të këndonte një këngë, në anglisht (ja fuste kot se gjuhën angleze nuk e zotëronte), e cila, në atë kohë ishte në modë; ‘Dajana’. Dalipi, me zë që përpiqej ta nxirrte “të çjerrë”, më tepër bënte zhurmë, se sa këndonte. Megjithatë, vendasit e duartrokitën dhe e shoqëruan këngën me brohoritje.

Nuk kishte fare rëndësi, si këndonte “këngëtari”; me vlerë ishte qenia e tij nga Shqipëria, mike e Kinës. Për ta ironizuar veprimin e tij, dikush nga shokët tanë e mbushi dërrasën e zezë në fund të shkallëve të fjetinës, me disa kuplete dhe një karikaturë, ku paraqitej Dapja duke kënduar. E shikonim atë krijim, sa herë ngjitnim e zbrisnim shkallët dhe qeshnim me shpirt. E shikonte dhe Dalipi e qeshte me pa mendësinë e tij.

Ishim së bashku me grupin e shturmanëve që erdhën nga Krasnodari. Ata ishin 20 studentë e doemos, në shoqërinë e tyre kishte probleme të marrëdhënieve me njëri- tjetrin. Mes tyre ishin dy studentë: Ivzi Minxha, nga Pogradeci dhe Kozma Sinjari, nga Berati. Të dy me trup të imët dhe grindavecë. Shokët e tyre të grupit kënaqeshin kur i “ndërsenin” kundër njëri-tjetrin. Përplasjet mes tyre shkonin deri në konflikt fizik.

Shokët e grupit të tyre, të ndarë më dysh, bënin tifo, disa për njërin e të tjerët për të dytin, si në një ndeshje boksi. E theksova këtë aspekt të jetës tone, vetëm për të dëftuar se sajonim edhe veprime të tilla konfliktuale, vetëm për t’u relaksuar pak. Për të kaluar kohën e lirë luanim me top, në fushën e vetme të futbollit; kurse sallat për lojëra të mbyllura, ishin inegzistente.

Herë pas here dilnim në qytet. Mjafton të kalonim postbllokun e shkollës e të ndryshonim pak ambient. Them kështu, për arsye se vendet ku mund të shkonim, ishin të përcaktuar. Futeshim në ndonjë dyqan dhe lëviznim me kufizim nëpër qytet. Klube, në kuptimin e kafeterive, restorante, bilardo, kinema etj., vende për t’u argëtuar, ne nuk dinim e, në to nuk mund të shkonim. Në atë kohë në Kinë, funksiononte sistemi i triskëtimit. Në dyqane mund të blije, pa triskë, vetëm artikuj industrialë.

Çdo mall i prodhuar me material bujqësor apo blegtoral, këmbehej kundrejt tollonit. Sido që nëpër xhepa kishim pamjaftueshëm para, blerjet tona vështirësoheshin, edhe për shkak të tollonëve. Edhe sapuni apo pasta e dhëmbëve, shkëmbehej kundrejt tollonit. Në dyqanet brenda garnizonit, nuk i gjenim gjithmonë artikujt që na duheshin; prandaj rendnim në qytet. Më së shumti frekuentonim një tip supermarketi, me tre kate, i cili ndodhej në qendër të qytetit.

Qëllimi i vizitave të shpeshta në atë supermarket ishte i dyfishtë. Me ato pak para që kursenim, blinim disa palë çorape, najloni ose mëndafshi, të cilat shiteshin pa tollona, e nuk kushtonin shumë. Çorapet do të na shërbenin si dhuratë, për familjarët dhe të afërmit tanë, kur të ktheheshim në Shqipëri. Motiv i veçantë i cili na çonte në atë shitore, ishte prania e një shitëseje, të re, mjaft të bukure nazemadhe.

Shkonim shpesh në atë njësi, qëndronim gjatë, e rrethonim vajzën e bukur e nuk ia ndanim sytë. Vrojtonim hiret e bukurisë vajzërore të saj, për të thyer monotoninë e të parit, pa pushim të ngjyrës së gjelbër e veshjes me pantallona e xhupa të ushtarakëve e ushtarakeve. Bukuroshja e Çin Zhout, e pikasi interesimin tonë për të dhe, si nazemadhe që ishte, bënte lajka e buzëqeshte, hijshëm, duke na joshur me hiret e saj.

Qëndrimi gjatë, yni, në atë dyqan, nuk kaloi pa rënë në sy të vendasve kureshtarë dhe tepër xhelozë, të cilët na identifikonin së largu, prej pamjes së jashtme dhe hundës së madhe që kishim. Një ditë prej ditësh nuk e gjetëm më në shitore atë femër të bukur. E kishin larguar, me marifet. Kështu, për ne, ra dhe një motiv për të dalë në qytet. Mbasi iku nga vendi i punës shitësja e bukur, me dhimbje kuptuam se të gjithë kishim rënë në dashuri me të. Të kuptohemi, bëhet fjalë për dashuri platonike. Asnjeri prej nesh nuk e kishte prekur me dorë atë femër. Memorie.al

blank

DITA E FLAMURIT- LUIGJ GURAKUQI- Mendime e kujtime- Pergatiti Fritz RADOVANI

blankFoto Marubi – Shkoder.

KUVENDI Romë, 30 Nânduer 1919 (Paris më 20 Nânduer 1919)

Në nji ditë t’errtë e të trishtueshme të Kallëndorit, i lodhun nga vjetët, e, mâ fort, nga mundimet e të vështirat e nji jete të kalueme, pa ndalim, mbi brigje e nën shatorre në mest të fushavet të luftës luâni i Krues, Skandërbeu, ulte kryet madhështuer, e dirgjej e rënkonte në shtrat të vdekës atje në Lesh. Rriba e murrânit i sillte në vesh ushtimën e tmershme të luftës s’ashpër që ziente në breg të Kirit, pranë Drishtit ndërmjet turqvet e të Shqiptarvet. Gjaku i ndezun i valonte ndëpër dejt e çeliktë, e zemra trimoshe i dridhte parzmën tue rrahun me rrëmbim, e i pëlciste nga dëshiri për të fluturuem si rrufeë në ndihmë të vllazënvet të vet. Por trupi i Tij i rândë nuk tundej dot nga vendi. I mundun nga sëmundja, por jo nga luftat e rrebta e të parreshtuna nga të cilat kishte dalë gjithmonë Burri i famshëm mbyllte syt, e me tê errej e shuhej edhe fati i Atdheut !
Trimat, shokët e Tij, qi bashkë me Tê kishin ndamun, për sa e sa vjet gëzim e rreziqe, e luftarët e Tij mâ të përmendunit merrshin udhën e mërgimit e përndaheshin në të katër anët. Qytetet e Tija mâ të fortat, fole sokolash e sqifterësh, bijshin njena mbas tjetrës nën sulmin e anmiqvet. Shqipja rregjineshë, qi kishte fluturuem gjithnji ngadhnjyese mbi ajrin e lirë të Shqipniës, përmblidhte kthetrat, varte krahët e strukej në shpellat e maleve të larta ; e flamuri kuq e zi, shenj lirie e ngadhnjimi, përmbysej e zhdukej, e mbyllej i palosun në zemrat e Shqiptarvet të veshun në të zeza.
Në atë ditë të vajtueshme e fatkeqe, robnia mâ e ashpër e dhunore nisi të rândonte mbi kryet e kurrusun të Shqiptarvet të mjerë. I ndrydhun e i shtypun nga pushtuesi barbar, komi i ynë ra në shkretnim e në vobeksië. Të harruem prej të gjithve, edhe prej atyne të cilvet u kishin dhânë pa kursim ndihmën e vet në ditën e rrezikut, e të mbetun pa mbështetije e pa shpresë, Shqiptarët u shtrenguen, mâ në fund, t’i shtroheshin fatit e të hyjshin në marrëveshje me pushtuesin. Por edhe në qoftë se gjyshat t’anë e harruen, pak nga pak, mëniën kundër anmikut qi të parët u kishin lânë trashigim, me gjithë këtê nuk e buerën kurrë ndiesiën e liriës. Sado herë qi u erdhi rasa e qi i a pan gjasën, Shqiptarët nuk e kursyen kurrë jetën e vet e nuk prituen kurrë me ngritun krye kundër turqvet qi kërkojshin me u rrëmbyem edhe gjurmat mâ të mbrâme të të drejtavet kombtare.
Po nga nji tok shkajqesh, qi nuk âsht nevoja t’i përmendim këtu, Shqiptarët, që lypsej t’ishin mâ të parët me shpëtuem nga sgjedha e Turqiës, nuk e patën fatin e mirë të fqinjve të vet. Këta, jo vetëm qi u liruen mâ parë se na nga robnia e përbashkme, po mbasandaj, tue harruem gjakun e derdhun prej burravet t’anë për liriën e tyne, nisën të ndêjnë dëshiret e veta lakmuese mbi tokët e Shqipniës. Gâdi gjithmonë të duruem, e shumë herë edhe të mbështetun e të përkrahun nga qeveria turke qi nuk donte t’a shihte varrin qi ditë për ditë po i hapej përpara, fqinjt t’anë, në vend qi të na tregojshin mirënjohsiën e vet e të na shpërbleshin me të mirë ndihmën qi u kishim dhânë, rrokën propagandën e shkomsimit ndë mest të popullit t’ënë të padishëm tue përdorun ç’farë do mjeti e dhelpnie e tue bâmun vegël edhe feën e shkollat për të na helmuem gjakun, për të na prishun zemrat, për të na rrëmbyem trashigimet Kombtare mâ të shtrenjtat.
Mjerimet e salvimet qi ka hekun Komi Shqiptar, sidomos në pesdhjetë vjetët e mbráme të robniës së vet, janë të panjehuna.
Ndonse Kom më vete e të ndamun prej turqvet për nga gjuha e nga zakonet, Shqiptarët qén dënuem të bâheshin flîja e lajthimevet dhe e fajevet të Turqiës me të cilën vetëm fati i zi i kishte pjekun. Kështu ndodhi kohën e Traktatit të Berlinit e kështu do të ngjante edhe mbas luftës Balkanike, kur Europa, tue mohuem të drejtat e Shqiptarvet, mendohej me shpërblyem, me copa t’ Atdheut t’ënë, fitimin e beslidhunvet të Balkanit mbi Turqiën, atë fitim të cilin Shqiptarët e kishin pregatitun me kryengritjet e veta të fundit. 
Mbase 450 vjetë kishin kaluem, 450 vjetë të gjata pësimesh e të vështirash, që kur se flamuri i kuq me shqipen e zezë dykrenshe, ai flamuri i lumnueshëm i Skandërbeut, ishte shdukun prej qiellit të kaltër të Shqipniës. Anmiqt shekullorë të Komit Shqiptar kishin shkelun me kâmbë dhunuese tokën Arbnore të lame me gjakun e bijvet të vet, mbi trupat e të cilvet topitej pareshtun tehi i shpatavet e i thikavet të pushtuesvet barbarë. Të dehun nga fitimi i papritun kundër Turqiës, e të ndezun prej mëniës gjakpijse kundër fisit t’ënë, ushtarët beslidhun të Balkanit kishin urdhën qi të mos kurseshin asfare jetën vllazënvet t’anë, pse kështu qeveriët e tyne do të mundshin mâ vonë me mbretnuem e me sunduem mâ lehtas mbi pakicat Shqiptare të shpëtueme prej atyne therjeve të pamëshira.
Përpara këtij rreziku të kobshëm qi varej mbi fatin e Atdheut, Shqiptarët, ndonse të turbulluem e të turitun prej rrjedhës së vrulltë t’atyne ngjarjeve të papandehuna e të trishtueshme, e mblodhën mendjen, i bashkuen zemrat e i dhan besën njeni tjetrit qi me u përpjekun e me marrë masat e duhuna për shpëtimin e vendit të të parvet.
Pa humbun kohë, burrat e krenët e tyne mâ të vjefshmit u mblodhën në Vlonë ku, nën kryesiën e të ndëjyemit Ismail Qemal Bej, prokllamuen mvetësiën  e Shqipniës e ngritën Flamurin të kuq e të zi, qi shtërgjyshat u kishin lânë trashigim të palosun e të mbyllun në varret e veta.
Kujtimin e kësaj dite gazmore, të cilën të parët t’anë e kishin pritun me aqë dëshir e qi na, mâ të lumë se ata, patëm fatin e bardhë qi t’a shohim me sy, Komi Shqiptar po pregatitet t’a kremtojë me lulzim më 28 të këtij mueji.
Po të hedhim një sy mbi të ndodhunat e panumërta, të ndryshme e të vajtueshme qi kanë përsjellun jetën e Shqipniës së lirë e qi na vërtiten përpara me shpejtim si fytyrat mbi pëlhurën e nji kinematografi, nuk duem t’i besojmë vetes s’onë, na duket si të jemi n’andërr : e shtatë vjetët, qi na ndajnë prej ditës së proklamimit të Mvetësiës s’onë, na bâhen mâ të gjata e na dalin mâ të hidhuna se 450 vjetët e robniës së vjetër.
Përpara mjerimit t’Atdheut të cunguem prej Konferencës së Londonit, e tue pamun vendin e të parvet e vllaznit e vet akoma të paliruem prej thonjvet t’anmiqvet, Shqiptarët e humbën shpresën, e buerën guximin. Të lânun prej Qeverivet të mëdha pa atë mbështetje e pa atë ndihmë për të cilat ka pasun nevojë çdo komb i vogël në kohët e para të të mkambunit të vet, Shqiptarët muerën prapë tatpjetën e nisën përsëri t’u vên veshin propagandavet të hueja e, sikurse pësimet e të ligat e vuejtuna të mos u kishin vjeftun fare mësim, ran për prapë në fajet e përparshme.
Edhe nji herë gjaku i Shqiptarvet nisi me shkuem rrëkeë, edhe nji herë flamuri i ynë u rrëzue e u shduk, edhe nji herë anmiqt e pushtuen tokën e Shqipniës e sunduen edhe mâ rreptësisht mbi popullin t’ënë të ndamun në çeta e në partië gjithfarësh. E as sot të zezat t’ona nuk kanë marrë fund, e fati i Atdheut t’ënë ndodhet akoma i padalluem.
E kremtja e 28 Nândorit duhet të jetë pra për né të gjithë, jo vetëm nji ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe nji ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bâjmë sqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vêmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten t’onë ndë a kemi bâmun gjithkund e gjithmonë detyrën qi kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet t’ona, të harrojmë hidhnimet e anmiqsiët qi na ndajnë, t’i japim vllaznisht dorën njeni tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshavet t’anë se sot e mbrapa do të përpiqemi për të mirën e Atdheut, për lulzimin e Komit, për nderin e Flamurit t’ënë. 
Në veprimin e në sjellën t’onë të mbajmë gjithnji ndër mend këshillet e vlerta urtësie, vllaznie e Atdhetarie qi, në veprën e tij profetike, u jipte Shqiptarvet, ndëpër gojë të Marash Ucit, Vjershëtori i ynë kombtar tue u thânë:
“Armët e mbushme mos me i dhânë,
Me shokë t’uej kurr mos me u zânë.
Kurr ujt turbull mos me i rá, 
Mos me dalun n’ và t’pa và.
Vendin t’uej me e dashtë për ore, 
Me ruejt besë, mos me çartë ndore.
T’huejnë me fjalë mos t’a poshtnoni,
Bukën para por t’i a shtroni
Në Shqipní si âsht kênë zakoni ;
Me i besue mos i besoni !”
Luigj GURAKUQI
Paris më 20 Nânduer 1919.                       
KUVENDI Romë, 30 Nëntor 1919.
***
Shenim F.R.: Botohet pa asnjë ndryshim prej origjinalit, me rastin e 28 Nandorit 2022.
Melbourne, 25 Nandor 2022.

blank

blank

blank

Dëshmitë: Zv.drejtori i burgut, Riza Hoxha, pasi më lidhi këmbët me rripin e pushkës, filloi të më godiste me shkop dhe…

Nga Gjovalin Zezaj

Pjesa e dytë
Gjovalin Zezaj ka lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1928. Ai ishte i pari student i gjimnazit “At Gjergj Fishta” të qytetit të Shkodrës, që u arrestua nga Sigurimi i Shtetit me 27 nëntor të vitit 1945, pasi së bashku me disa studentë të tjerë, themeluan organizatën antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Pasi u mbajt për disa kohë në hetuesi në një nga burgjet e improvizuara të qytetit të Shkodrës, ai doli në gjyq para një kolegji ushtarak, ku bashkë me të ishin edhe një grup i madh prej 39 të pandehurish, ku bënin pjesë dhe tre klerikë.

 

Në pretencën e tij, prokurori Aranit Çela, kërkoi dënimin me vdekje, me pushkatim, për 11 nga këta të pandehur, ndërsa për Gjovalinin, megjithëse ishte ende në moshë adoleshente, ai kërkoi burgim të përjetshëm. Duke përfituar nga amnistia për arsye moshe, Gjovalini bëri vetëm 6 vjet burg dhe pasi lirohet nga burgu dërgohet për të punuar në punë shumë të rënda. Por mbas 7 vitesh, më 25 maj 1959, ditën kur kreu i Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovi, i shoqëruar nga Enver Hoxha dhe udhëheqës të tjerë të lartë të PPSh-së, ishte për vizitë në qytetin e Shkodrës, Gjovali arrestohet për herë të dytë nga Sigurimi i Shtetit.

 

Pasi mbahet për disa kohë në hetuesi, del në gjyq dhe dënohet me 5 vjet burg politik, i akuzuar për agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor. Mbasi lirohet burgu kur vuajti të gjithë dënimin e dhënë nga gjykata, vazhdon gjimnazin në shkollën e natës (pa shkëputje nga puna) dhe merr maturën. Gjovalin Zezaj punoi punë të rënda deri sa doli në pension dhe pas viteve ’90-të, me shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia, ai u aktivizua me Shoqatën e ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shqipërisë, për degën e Shkodrës, deri sa ndërroi jetë në vitin 2020, në moshën 92 vjeçar

 

Gjithashtu ai ka botuar librin: “Gjenocid mesjetar në shekullin XX-të”, pjesë nga i cili kemi përzgjedhur për botim në këtë shkrim.

blank

 

Vijim

blank

 

Fragment nga libri “GJENOCIDI MESJETAR NE SHEKULLIN XX-të”

blank

 

Dënimi i parë
Nga këto tortura edhe unë do të kisha riskun tim. Një ditë më thirri zëvendësi i drejtorit të burgut, Kapterr Riza Hoxha, e më tha: “Ti ke hedhur një letër nga dritarja e vogël e banjos. Kujt ia ke dërguar dhe çfarë ke shkruar në të”? Një akuzë e trilluar, për mua ishte e papritur, dhe unë i’a kundërshtova menjëherë, duke u munduar të bindja zëvendësdrejtorin se, letra përveç rojeve me armë, që rrethonin burgun, nuk kishte kujt tjetër t’i binte në dorë. Por kapteri injorant dhe njëkohësisht i paarsyeshëm, nguli këmbë në të tijën. E kuptova qëllimin. Diskutimi mori fund.

blank

 

Kapteri sadist, më mbërtheu prangat gjermane mbas shpine në të dyja duart, e me ndihmën e dy policëve, më rrëzuan përtokë e më mbërthyen edhe këmbët me rripin e pushkës dhe vetë Riza Hoxha filloi, të më godiste me shkop ndër shputat e këmbëve me sa fuqi që kishte. Natyrisht dhimbjet ishin të mëdha, por e vetmja rrugë ishte, t’i nënshtrohesha vullnetit të Zotit. Kjo histori vazhdoi derisa humba ndjenjat. Pastaj e kam gjetur veten në birucë, gjithnjë i lidhur me ato pranga me duar mbas shpine.

blank

 

Rënkimet nga torturat në mesin e natës bënin që të gjithë të burgosurit të kalonin çaste ankthi dhe trishtimi nga dhimbja për atë që po u torturonte për kapriçot e komandës.

Nuk mund të rri pa përmendur dy gardianët korçarë, kushërinj me njëri-tjetrin, që kanë lënë përshtypjet më të mira në burgun e Shkodrës. Quheshin, Safet e Remzi Hasanllari, të cilët, gjatë shërbimit brenda burgut, ndihmuan të burgosurit me të gjitha mundësitë e tyre, për t’ua bërë më të lehta vuajtjet.

Por, mjerisht, nuk vonoi shumë edhe ata u dënuan si të implikuar në Kryengritjen Antikomuniste të Postribës. Përveç këtyre, ka pasur edhe ndonjë gardian burgu që na ka ndihmuar. Kam njohur një polic nga Lushnja, quhej Teofik Luzi, i cili ishte me të vërtetë shpirt njeriu, sa kishte krijuar besim tek unë, por edhe unë tek ai.

Drejtori i Kampit, kishte kompetenca të plota mbi të burgosurin: nuk kishte as më të voglën përgjegjësi nëse i burgosuri vdiste në torturë. Aty të burgosurit trajtoheshin më keq se kafshët e egra.

Një herë Drejtori na mblodhi të gjithëve e na tha: “Shkruajuni familjeve mos t’ju dërgojnë ushqime, pse t’i shpenzoni ato; gjella e kampit është e mirë, e shtoi: nëse ndonjëri nuk i shkruan familjes për këtë që ju porosita, atëherë letra do t’ju kthehet mbrapa. Ja ku arrin krimineli, sa t’i ndalojë edhe atë pak ushqim që mundohej të na dërgonte familja.

Për këto viktima nuk interesohej askush. Përpiqej t’u vinte në ndihmë farmacisti Elez Troshani, i diplomuar në Itali, edhe ky i burgosur, por, përveç aspirinave dhe sulfamideve, infermieria nuk kishte asgjë tjetër.

Kemi pasur jo pak raste, sidomos në kohën e shirave, duke u kthyer nga puna edhe duke rënë shi duhej të vraponim, se ata që rrinin të fundit, goditeshin pa mëshirë nga policët e nuk e ekzagjeroj kur them se, disa kanë mbetur edhe nëpër kanale duke dhënë shpirt e, janë varrosur nga vetë policët bri skarpateve sa ende sot, nuk u gjenden eshtrat.

Drejtues kryesorë të punimeve ishin inxhinierë e teknikë jugosllavë, meqë ata ishin vëllezër internacionalistë me shqiptarët komunistë.

…Shirat e stinës së vjeshtës pezulluan punimet e, në fundin e nëntorit të vitit 1948, ne që mbijetuam na kthyen nëpër burgjet përkatëse.

Posa e morën vesh familjarët kthimin tonë, vërshuan menjëherë në drejtim të burgut që të na takonin. Por, mjerisht, ata u zhgënjyen. Shumë nuk i njohën njerëzit e tyre, sidomos të moshuarit, të cilët ishin bërë kockë e lëkurë, kufoma të gjalla. Në atë rast plasi vaji me dënesë, bile mbaj mend kur doli i burgosuri Riza Hoti në takim, e shoqja e kërkoi me sy, por nuk e njohu, e kur e mori vesh se ishte vetë i shoqi, asaj i ra të fikët duke u përplasur mes hekurash.

…Në marsin e vitit 1950, na dërguan, në punë fizike, pikërisht në atë kamp ku, dy vjet më parë, kishim hequr të zitë e ullirit, në kampin famëkeq të Bedenit. Megjithëse thuhej se Partia kishte bërë kthesë, por me sa shihej ujku ndërron qimen dhe vesin jo, prandaj, nuk ia kishim patur besën, dhe u mërzitëm shumë nga ky transferim.

Aty na sollën edhe disa nga shokët tanë studentë të gjimnazit. Ishin të arrestuar kohë më parë, akuzuar si antikomunistë, por kishin përballuar torturat më çnjerëzore që ka parë njerëzimi. Ata ishin: Ahmet Bushati, që qëndroi në hetuesi 18 muaj e, në fund, nuk pranoi asgjë, Xhevat e Remzi Quku, Thabit Rusi (vëllau i dëshmorit Fahri Rusi) Ernest Perdoda, Tomë Sheldia, Lec Bruçaj, Et’hem Bakalli etj. Kjo ishte ajo rini shqiptare, e ardhmja e atdheut, që nuk iu përkul diktaturës komuniste e që luftoi në kërkim të lirisë e të demokracisë.

Historia e tmerrshme e këtij kampi famëkeq do përsëritej mbas dy vjetësh kur torturohet për vdekje Viktor Kujxhia e Xhevat Quku, ndërsa Rrok Palaj, gati sa nuk vdiq, i lidhur në traversën midis kampit. Për fatin e tij po kalonte mbas kampit jashtë drejtori, që, të thuash të vërtetën, nuk ishte njeri me shpirt të keq, shpejt u dha urdhër gardianëve të kampit, ta zbrisnin në tokë. Rroku ishte pa ndjenja, por e mori në mbikëqyrje. Padër Donat Kurti, duke i dhënë ndihmën e shpejtë, me frymëmarrje artificiale etj.

Një ditë na mblodhi drejtori i kampit dhe na tha: “Nëse dëshironi të shihni filma çdo natë, do t’ju blejmë një aparat kinematografik me punën tuaj që do të bëni, duke punuar katër të diela rresht”. Të gjithë u gëzuam, sidomos ne të rinjtë. Në të vërtetë, aparati erdhi dhe çdo mbrëmje në sheshin e kampit shfaqej nga një film. Por çfarë shihnim? Filma të vjetër kolkozian, dokumentarë për jetën e veprën e shokut Lenin dhe shokut Stalin, dokumentarë nga Kongresi i Partisë…, dhe e keqja ishte se asnjëri prej nesh, nuk mund të largohej nga vendi sepse konsiderohej si i pakënaqur, bile edhe mund të dënohej me një muaj birucë…! Kaq fort u mërzitëm saqë, mallkuam ditën që na erdhi aparati kinematografik.

Nëntori ishte muaji që, mbas 6 vjet torturash fizike e morale, do të më nxirrte nga burgu. Isha dënuar me burgim të përjetshëm, zbrita në 30 vjet, por në rastin e amnistisë që u bë me të ashtuquajturën “Kthesa e Partisë”, zbrita në 6 vjet, ndoshta them se përfitova edhe nga mosha që kur isha arrestuar isha vetëm 17 vjeç.

Ëndërroja ditën e lirimit, takimin me njerëzit e mi, posaçërisht me nënën, së cilës doja t’i dhuroja edhe dashurinë e babait të shkretë, i cili kishte vdekur 3 vjet më parë e, që në zemrën time kishte lënë një boshllëk të madh. Porsa të takohesha me të gjithë njerëzit e mi, ëndërroja që takimin e dytë do ta bëja ndër varreza, atje ku në amshim prehej babai im i dashur, tek ai që dha shpirt, me emrin tim në gojë, do të shkoja tek ai që gjithë jetën punoi e sakrifikoi për ne, dhe na edukoi me ndjenja të zjarrta patriotike dhe morale. Nuk do ta harroja kurrë se, sa kurajo më dha gjatë kohës që dilnim në gjyq, e megjithatë, ishte gjithmonë i qeshur, gjithmonë fjalëmbël, kurrë i mërzitur, prandaj dhe ishte i respektuar nga të gjithë.

Dita e shumëpritur për mua, për prindërit e të afërmit e mi erdhi. Është 27 nëntor 1951. Gjashtë vjet më parë u shkëputa nga gjiri i familjes nga ku kuçedra komuniste, më rrëmbeu në kthetrat e saj kur isha në moshë ende adoleshente. Pikërisht në atë moshë kur, kisha më nevojë se kurrë për mbështetjen atnore. Pra, 6 vjet më parë për mua dhe për pjesëtarët e familjes sime, kishin filluar rrugët e kalvarit, aq sa lirimi më dukej sot vetëm si një ëndërr…!

* * *

Dënimi i dytë
Një ditë të bukur pranvere, më 25 maj 1959, vjen në vendin tonë për vizitë zyrtare udhëheqësi i Partisë së Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov. Ditë gëzimi e hareje për pushtetarët. Ndërsa për mua e shumë si unë, ditë hidhërimi.

Porsa kisha filluar punën në fermë, kur me shpejtësi një makinë ogurzezë, ndalet para meje. Të them të drejtën isha i qetë e s’kisha pse të tronditesha, sepse nuk kisha vepruar e as kisha zhvilluar asnjë aktivitet armiqësor kundër pushtetit, por, mjerisht, ata e kishin pasur me mua! Zbritën tre oficerë nga makina dhe pa asnjë koment dhe pa bërë zë më kapën, më vunë prangat e, më futën në makinë si një kriminel. Punëtorët përreth u shtangën…!

Makina më zbriti në oborrin e Degës së brendshme. Nuk mund ta fsheh gjendjen e rëndë shpirtërore në ato çaste të vështira. Ajo që më lodhi më shumë ishte preokupimi për nënën, që ishte tashmë e vetme në shtëpi, pa asnjëfarë ndihme e në moshë të rënduar, megjithatë, duhej durim. Shumë raste kam pasur me kalue kufirin pa më hy ferrë në këmbë, por më pengoi dashuria për nënën, sepse ajo kishte vuajtur shumë, gjatë periudhës që unë isha në burg. Më dërguan në qelinë nr.5 ku gjeta At Konrad Gjolajn që, ishte dënuar me Don Dedë Malajn, një muaj më parë, bile kisha dëgjuar edhe gjyqin e tyre.

Mbas 4 muaj izolimi në atë birucë të errët me lagështirë e, pa ajër të mjaftueshëm, më nxorën në gjyq. Kisha pamjen e një njeriu që kishte dalë nga spitali mbas një sëmundjeje të rëndë. Meqë nuk kisha pranuar asgjë, dhe hetuesi, kapiten Beqir Sala, i’a kishte kaluar gjykatës dosjen time, me proces të bardhë, i bindur edhe ai për pafajësinë time, dhe unë mendova se isha në prag të lirimit. Por jo. Sigurimi e kishte përgatitur lojën.

Dëshmitarët, megjithëse njerëz të mirë, por nën presionin e oficerëve të Sigurimit, u treguan jo me karakter, të pavendosur e jo burrëror. Ata deklaruan para trupit gjykues, akuza absurde dhe falso e, kam bindjen, se edhe vetë Kryetari i Gjyqit, Nuri Resnja, u bind për pafajësinë time. Ndërsa prokurori, mbajti një pretencë të gjatë, duke më akuzuar edhe për ato çka nuk isha dënuar as të parën herë dhe duke kërkuar në fund dënimin maksimal të nenit 55 me, 10 vjet burg.

Mbasi trupi gjykues u tërhoq për të dhënë dënimin e mbas një pushimi të shkurtë, kryetari dha vendimin, duke më zbritur dënimin nga 10 vjet, në 5 vjet burg.

Mbas 2 ose 3 ditëve më dërguan në burg të madh, ku u takova me shokët që kisha lënë aty kur isha liruar, sepse ishin dënuar rëndë, por nuk u dukën të mërzitur: burgu ishte bërë tani si shtëpia e tyre. Gjithashtu u takova me shokët që ishin dënuar pak vite më parë. Mbasi qëndrova disa muaj aty, më dërguan me disa të burgosur të tjerë në Kampin e Laçit, ku punohej në hapjen e kanaleve vaditëse.

Në ditën e parë porsa fillova punën, nga dreka, më kapi një colpo di sole, me temperaturë të lartë, sigurisht mbas një periudhe të gjatë izolimi, duke mos parë gati për një vit rrezet e diellit. Mjerisht, megjithëse kishte një infermieri, nuk kishte kurrfarë mjekimi, prandaj u detyruan të më dërgonin në Burgun e Tiranës, ku një dhomë ishte e rezervuar për të sëmurët dhe quhej Spitali i Burgut. Aty shërbente një mjek që edhe ai ishte i burgosur.

Quhej Qazim Cerga. Në takimin e parë që pata me të krijova përshtypje të mira dhe nuk u gabova. Ilaçet ishin mjaft me mungesë. Kishte aspirina, sulfaguanidina, sulfamide, jodio, garza e pambuk, por kurrfarë antibiotiku. Mjeku ishte i mirë e shumë i sjellshëm me të gjithë. Shpejt u miqësuam dhe ndonjëherë vinte e luante shah me mua.

Mbasi më mbajti rreth 3 muaj aty dhe unë isha mjaft mirë me shëndet dhe një ditë më tha se tani isha shëruar plotësisht, u gëzova që isha shëndosh, por, nga ana tjetër, e kuptova se do të përgatitesha për punë e pa hezitim i thashë: “Doktor jam për të dytën herë në burg e, ia kam pirë mirë çorbën punës në kampe, dhe për pak lashë eshtrat aty, veç Zoti më shpëtoi”. Kaq mjaftoi. Ai heshti e u largua. Mbas një ore kthehet përsëri dhe më dorëzuan një raport mjekësor, që do t’ia paraqitja Komandës si i paaftë për punë.

Pra, edhe mua Dr. Qazim Cerga, më bëri një nder shumë të madh, jo vetëm që më shpëtoi nga puna e rëndë, por ndihmoi edhe njerëzit e mi që s’do më vinin më mbrapa nëpër kampe, të ngarkuar me torba me ushqime, përveç shpenzimeve të transportit që për ta ishin të papërballueshme.

Tani e mbrapa nuk isha më efektiv i punëtorëve të kampit, prandaj edhe drejtori i burgut, urdhëroi rojet që të më nxirrnin nga dhoma e spitalit e, të më zbritnin poshtë me të burgosur të tjerë. Aty u takova me shokët e kampeve ndër të cilët me: Petrit Berishën, Bektash Kokonën, Xhelal Koprenckën etj. etj. të gjithë djem të mirë e të vendosur, sikur të kishin lindur nga një nënë. Në mes të tyre e ndjeva veten si në shtëpinë time.

Tani isha i sigurt se nga ky vend nuk do të më lëvizte më kush dhe më mbeteshin edhe 3 vjet burg, dhe me gjakftohtësinë më të madhe iu vura përgatitjes së një fjalori frëngjisht-shqip, me rreth 20 mijë fjalë që, me ndihmën edhe të shokëve, e përfundova 3 muaj para lirimit.

Erdhi 25 maji 1964: ditë me të vërtetë e shënuar, se po lirohesha nga burgu i tmerrshëm, por, njëkohësisht, edhe ditë dhimbjeje dhe e ithët, se kisha bërë 5 vite burg pa e ditur si dhe pse…!

Ndërsa po mendoja, gardiani i burgut më lajmëroi që bashkë me plaçkat personale, të zbrisja poshtë. Për këtë isha përgatitur se, çka është e vërteta, dita e lirimit nga burgu respektohej, duke përjashtuar ndonjë rast që në vend të lirimit, i burgosuri internohej me urdhër më lart. /Memorie.al/

blank

Dëshmia: Mark Çunin e lidhën me duar mbrapa dhe shefi i Degës në mënyrë shtazarake e qëllonte me grushte e shkelma stomakut

blank

Nga Gjovalin Zezaj

Pjesa e parë
Gjovalin Zezaj ka lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1928. Ai ishte i pari student i gjimnazit “At Gjergj Fishta” të qytetit të Shkodrës, që u arrestua nga Sigurimi i Shtetit me 27 nëntor të vitit 1945, pasi së bashku me disa studentë të tjerë, themeluan organizatën antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Pasi u mbajt për disa kohë në hetuesi në një nga burgjet e improvizuara të qytetit të Shkodrës, ai doli në gjyq para një kolegji ushtarak, ku bashkë me të ishin edhe një grup i madh prej 39 të pandehurish, ku bënin pjesë dhe tre klerikë.

Në pretencën e tij, prokurori Aranit Çela, kërkoi dënimin me vdekje, me pushkatim, për 11 nga këta të pandehur, ndërsa për Gjovalinin, megjithëse ishte ende në moshë adoleshente, ai kërkoi burgim të përjetshëm. Duke përfituar nga amnistia për arsye moshe, Gjovalini bëri vetëm 6 vjet burg dhe pasi lirohet nga burgu dërgohet për të punuar në punë shumë të rënda. Por mbas 7 vitesh, më 25 maj 1959, ditën kur kreu i Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovi, i shoqëruar nga Enver Hoxha dhe udhëheqës të tjerë të lartë të PPSh-së, ishte për vizitë në qytetin e Shkodrës, Gjovali arrestohet për herë të dytë nga Sigurimi i Shtetit. Pasi mbahet për disa kohë në hetuesi, del në gjyq dhe dënohet me 5 vjet burg politik, i akuzuar për agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor. Mbasi lirohet burgu kur vuajti të gjithë dënimin e dhënë nga gjykata, vazhdon gjimnazin në shkollën e natës (pa shkëputje nga puna) dhe merr maturën.

Gjovalin Zezaj punoi punë të rënda deri sa doli në pension dhe pas viteve ’90-të, me shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia, ai u aktivizua me Shoqatën e ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shqipërisë, për degën e Shkodrës, deri sa ndërroi jetë në vitin 2020, në moshën 92 vjeçare. Gjithashtu ai ka botuar librin: “Gjenocid mesjetar në shekullin XX-të”, pjesë nga i cili kemi përzgjedhur për botim në këtë shkrim.

 

Fragment nga libri “GJENOCIDI MESJETAR NE SHEKULLIN XX-të”

Dënimi i parë
Tashmë ishim mësuar me atë zhurmë të zakonshme, si çerdhe grethash. Më kishte marrë një gjumë i thellë, por edhe atëherë nuk pata fat. Një polic erdhi si i tërbuar. Më zgjoi nga gjumi e më dërgoi tek Shefi i Degës, i cili më pyeti nëse e njihja Mark Çunin. Të them të vërtetën pata një tronditje të thellë shpirtërore, por e përmbajta veten duke u paraqitur i qetë, dhe i thashë:

– Markun e kam njohur nëpërmjet babait tim, që e ka pasur nxënës në katundin Rrenxa-Bushat. Nëpërmjet dy familjeve tona lindi një miqësi e sinqertë, – por pa mbaruar mirë fjalën shefi i Degës më tha:

– “Këto janë përralla, fol për aktivitetin tuaj armiqësor kundër pushtetit popullor të ngritur me gjakun e dëshmorëve, që dhanë jetën për liri…, e që ju donit ta përmbysnit”, – e mbasi foli si i çmendur për Stalinin e madh, nga nervozizmi djersët i shkonin rrëke në fytyrë. Për të ndjerë veten disi të çliruar, zbërtheu kopsën e xhaketës që dukej sikur po i merrte frymën. Thirri policin, që më vonë e kuptova se për çka.

Mbas pak, hynë brenda me dhunë polici me Mark Çunin të lidhur me pranga. U hutova! Kuptova se ishte arrestuar. Si qëndronte puna! Tashti ishte e kotë!

Kisha përballë meje Markun dhe krye-xhelatin. Ishin momente të paimagjinueshme. Marku i lidhur me duar mbas shpine, dhe kamxhiku i Shefit të Degës binte pa pushim në trupin e tij, në fytyrë e gjithkund, ndërsa gjaku i rridhte pa pushim nga hundët e nga goja. Skenë vërtetë rrëqethëse dhe e dhimbshme. Është e pabesueshme se si njeriu arrin të sillet në mënyrë kaq shtazarake me njeriun.

Kjo është e vërteta e hidhur. Nuk mjaftoi me kaq, e përplasi në një nga qoshet e murit dhe aty e godiste me sa fuqi që kishte me grusht stomakut. Më në fund Marku ra pa ndjenja dhe kur polici e tërhoqi zvarrë për shkallësh, koka e tij përplasej për çdo këmbë shkalle.

…Hetuesit, për të shfryrë inatin ngaqë nuk u rrëfeva para tyre për “mëkatet e bëra”, më zbritën nga banjoja e katit të tretë që, të paktën, ishte e ajrosur, në katin përdhes, nën shkallë. Në të vërtetë ajo ishte një banjo primitive, por shërbente edhe si vend dënimi e torture për të detyruar të burgosurit të thonin të vërtetat e të pavërtetat.

Përveç erës së qelbur e të padurueshme, aty s’kishte as dritare, por ajrosej vetëm kur hapej dera nga ndonjë i burgosur që kryente nevojat personale, i përcjellur nga polici ose ushtari me veshje partizani. Për fat, këtu qëndrova me shpirt ndër dhëmbë vetëm tri ditë, pastaj më dërguan përsëri lartë. Aty gjeta Mark Çunin, që dergjej pa shtrojë e mbulojë, i katandisur mos Zot më keq. Nga njëra anë torturat, nga ana tjetër me krahun e thyer dhe pa kurrfarë ndihme mjekësore.

U mundova me ato pak mjete rrethanore t’i vija në ndihmë. Krahun e thyer i’a lidha me një peshqir që e ndava përgjysmë, ndërsa plagët ishin të shumta, e ku kisha mundësi, i’a freskoja me ujë. Vetëm ky ishte shërbimi që mund t’i bëja. Nuk kaloi shumë kohë që isha vendosur këtu, kur erdhi, tashmë miku i të burgosurve, Fadil Rakiqi, i cili më thotë: “Kanë arrestuar një prift italian dhe e kanë futur në birucën ku ishe ti”. Kaq dhe iku.

E kuptova pse më kishin nxjerrë nga ai vend. Isha shumë kurioz të dija se kush ishte i arrestuari i fundit. Prita të nesërmen kur mori shërbimin Fadili, i cili na shoqëronte në banjo, ne të burgosurve të katit përdhes. Kur më erdhi radha mua, i thashë mikut tonë: “Kujdes se dua të flas disa çaste me klerikun”. U futa brenda në banjo, ndërsa Fadili survejonte tek shkallët.

E pashë të mbledhur gërmuq (sepse ishte nën shkallë) njeriun të cilin nuk e njoha. I thashë se jam student i arrestuar e i tregova emrin tim. Ai m’u përgjigj me zërin e tij të ëmbël: “Jam At Giovanni Fausti”, emër që e dëgjoja për të parën herë. E kuptova se ishte një personalitet i Klerit Katolik dhe u largova nga ai, duke e përshëndetur me respekt dhe me dhimbje…!

…Në fund të muajit janar të vitit 1946, më çuan në një zyrë të katit të dytë të Shtabit të Brigadës, ku na kishin mbledhur të gjithëve që kishim përfunduar procesin hetimor. Porsa u hap dera, përballë meje qëndronte në këmbë “ujku” me fytyrë njeriu, prokurori, kapiten Aranit Çela, që në Shkodër kishte lënë nam për egërsinë e tij.

Ai bëri një bisedë hipokrizie me mua duke u paraqitur si njeri human dhe ndër të tjera, më tha: “Na vjen keq që po bie viktimë e të tjerëve. Ti, – tha ai,- je në lulen e rinisë, gëzoje atë po deshe, zgjidh e merr lirimin nga burgu ose vdekjen. Gjithnjë – vazhdoi ai, – nesër hapet gjyqi i popullit dhe tregoji trupit gjykues se udhëheqësit tuaj, ishin Padër Giovani Fausti, Padër Danjel Dajani e Padër Gjon Shllaku.

Porsa dëgjova këto fjalë nga goja e prokurorit provokator, u indinjova pa masë, por duke u treguar gjakftohtë e i matur, i’u përgjigja: “Këta emra i kam dëgjuar për të parën herë këtu në hetuesi, gjithashtu kam qenë student i Gjimnazit të Shtetit”. Përgjigja ime negative nuk i ra për shtat prokurorit, i cili më tha: “Po qe se ti nuk pranon, do të të shkojë koka”.

Më 31 janar të vitit 1946, herët në mëngjes, futen policët në çdo dhomë e, në heshtje, na lidhën me pranga dy nga dy e na nxorën në korridorin përdhese të ndërtesës. Kishte persona që nuk i kisha njohur kurrë e që i pashë këtu për të parën herë. Në fakt nuk e dija se sa vetë ishin implikuar në këtë çështje, dhe nuk ishin pak, megjithëse jemi përpjekur me mish e me shpirt që, të ruanim konspiracionin në një farë mase, e të shpëtonim disa kokë. Në fakt, i’a arritëm deri diku qëllimit.

Çdo ditë populli i Shkodrës, na priste në të dy anët e rrugës i terrorizuar duke parë ato skena aq të dhimbshme e të shëmtuara, në kurrizin e patriotëve dhe klerikëve të pafajshëm. Në krye të këtij korteu të përmotshëm printe Padër Giovani Fausti, Padër Danjel Dajani e Padër Gjon Shllaku, pastaj seminaristët, studentët, ushtarakët e fshatarë të akuzuar si bashkëpunëtorë me grupin tone, që numëroheshin 39 të pandehur të rrethuar nga një mori policësh, partizanësh e oficerësh të Sigurimit të armatosur deri ndër dhëmbë.

Tani e kishte fjalën salla e “Gjyqit të popullit” e vendosur në Kinema “Rozafat”, e përshtatur kohët e fundit nga komunistët. Publiku përbëhej nga njerëz të besuar të partisë me autorizim të posaçëm e, rrallë herë mund të hynin në sallë njerëzit tanë, ndërsa altoparlantë të fuqishëm të lidhur edhe me Radio Shkodrën, transmetonin punimet e seancave të përditshme të të ashtuquajturit “Gjyqit të popullit”.

Ndërsa ne po i afroheshim ndërtesës së Kinema “Rozafatit”, altoparlantët transmetonin këngë partizane revolucionare të kohës si: “Hakmarrje rini”, etj., në mes të intervalit muzikor, spikeri, Masar Bekteshi, çirrej me zërin e tij shurdhues, duke thënë: “Vini re! Vini re! Sot hapet seanca e parë e Gjyqit të popullit, kundër një grupi kriminal të organizatës fashiste-terroriste të udhëhequr nga krerët e Klerit Katolik të Shkodrës”.

Në mes duartrokitjesh e brohoritjesh histerike të pjesëmarrësve komunistë, doli në tribunën e gjyqit, Prokurori, Kapiten Aranit Çela, duke u mburrur e kapardisur si kapadai.

Trupi gjykues përbëhej nga kryetari i tij, Toger Mustafa Iliazi, anëtarët: Kapiten Namik Qemali, e Aspirant Tonin Miloti dhe Shaban Dautaj, sekretar. Seanca e parë e gjyqit u përqendrua vetëm me pyetjet e shumta, që iu bënë Padër Faustit, i cili i’u përgjigj me burrëri, gjakftohtësi dhe me vendosmëri të patundur në rrugën e martirizimit.

Seanca e dytë do të hapej prej Pader Danjel Dajanit, i cili do t’u përgjigjej akuzave falso të përgatitura në kuzhinën e hetuesisë policore kriminale, me në krye Zoi Themelin.

…Prokurori, mbasi mbaroi pretencën prej krimineli e sadisti, me ata dy sy që i vezullonin sa andej këtej, si ato të nepërkës e me atë gojë helm e vrer, mori frymë thellë, “i varfri” ishte lodhur duke lexuar të gjithë ata emra ndër të cilët njëmbëdhjetë vetë me vdekje.

E në këtë moment të gjithë pjesëmarrësit u ngritën në këmbë, siç e kishin zakon, duke brohoritur e duartrokitur për “birin e popullit”, të aftë në profesionin e tij, që po sfidonte me krenari si gjeli në pleh, burrat e rininë e pafajshme. Ndërsa e kundërta për njerëzit tanë. Diku, në një skaj të sallës të vetmuar, pashë vëllanë tim me dy motrat, që në fytyrat e tyre shprehej trishtim.

…Në krahun e majtë të hyrjes qëndronte ndërtesa e burgut të madh, katërkëndëshe dykatëshe, në fasadën e oborrit të madh ishte vendosur drejtoria e administratës e burgut dhe forcat e policisë. Brenda kësaj ndërtese katërkëndëshe, ishte një oborr rreth 200 m.2 e, në mes të këtij oborri të brendshëm ishte vendosur një trumë, që shërbente për të furnizuar të burgosurit me ujë.

Ndërtesa kishte katër dhoma të mëdha, të shtruara me një dysheme me dërrasa të kalbura, secila dhomë merrte rreth 80 vetë, por edhe më shumë, të sistemuar në katër rreshta, ku, ndonjëherë, hapësira e fjetjes ishte jo më shumë se 30 cm. Në katin e dytë, përveç dy dhomave të mëdha, kishte edhe 4 dhoma të vogla (dy majtas e dy djathtas ndërtesës). Këto përdoreshin për të sëmurët, pothuaj si dhoma të infermierit, pa kurrfarë shërbimi mjekësor.

Në katin përdhes, përballë derës së hyrjes me kafaz me hekura, ishte banjoja krejt primitive, e hapur, pa ndarje. Në të dy anët e oborrit, nën shkallë ishin dy biruca, të cilat shërbenin për të dënuar të burgosurit e “pabindur” ose, për të dënuarit me vdekje, të lidhur këmbë e duar, në pritje, ndoshta, edhe për disa muaj të ekzekutimit ose rrallë herë, të faljes nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Meqë isha dënuar me 30 vjet burg, kisha fituar të drejtën të rrija në dhomën përdhese nr.7, në dhomën e atyre që ishin dënuar rëndë. Pra, kjo ishte dhoma e të dënuarve, menjëherë mbas atyre me burgim të përjetshëm. Ata më pritën me përzemërsi, duke më lënë në krye të vendit e, si mbas zakonit, më ofruan kutinë e duhanit, duke më thënë se burgu është për burra.

Aty gjeta të rinjtë malësorë që kishin qenë në një grup me Preng Calin, i cili, thanë ata, u dorëzua vetëm e vetëm për të na shpëtuar ne më të rinjve nga vdekja e sigurt. Atë ditë nuk kishin mbarim vizitat, herë më thërriste një grup, herë një tjetër. Në atë dhomë ishin edhe vëllezërit Zenel e Hamit Kazazi që, në përpjekje me forcat e shumta të Sigurimit, ishin plagosur e pastaj dënuar me burg të rëndë.

…Tashmë situata në vendin tonë rëndohej përherë e më tepër. Në shënjestër ishin klerikët e intelektualët. Kulti fetar ishte i lejuar zyrtarisht, por, de facto, ishte i jashtëligjshëm. Në vitin 1946, arrestohet Padër Karlo Serreqi, nën akuzën absurde se nuk kishte denoncuar rrëfimin që i kishte bërë një i arratisur, i plagosur rëndë, që mbas pak vdiq. Pastaj, Padër Karlo Serreqi, dënohet nga gjykata me pushkatim, që më vonë iu kthye me burgim të përjetshëm. Në këtë kohë arrestohet edhe një klerik i moshuar, Hafiz Derguti, njeri i ndershëm, trim dhe patriot.

Në një skaj të oborrit të madh, ngjitur me ndërtesën e burgut, ishte një dhomë përdhese. Aty gjendeshin femrat e burgosura politikisht, ndër të cilat 18-vjeçarja Ana Daja, e cila luftoi me konviktorët servilë e komunistë, të cilët i dolën befas në pritë, ndërsa po shkonte në shkollë, që t’i merrnin me dhunë distinktivin e “Veprimit Katolik”, që mbante në gjoks. Ata në mes të rrugës u përleshën, e kapën për flokësh, e rrëzuan përtokë, por me gjithë përpjekjet e tyre, aksioni dështoi me turp.

Distinktivi mbeti si mbeti në gjoksin e saj. Por, mjerisht, persekutimi e ndoqi në çdo çast. Arrestohet për “veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor” e, dënohet me katër vjet burg. Aty ishin dhe Vitoren Kuka, Agime Pipa, motrat Terezina e Liza Pali e, shumë vajza të tjera të dënuara si antikomuniste.

Në katin e dytë, në të dy ekstremet e ndërtesës, ishin dhomat Nr.3 e ajo Nr.10. Këto ishin rezervë për të sëmurët që ishin me sëmundje infektive dhe që ishin në proces galopant të T.B.C. (Turbekoloz). Aty ishin shtruar Agim Boksi, Filip Logoreci, Lekë Harapi, Luigj Kçira, Pjetër Gjoka etj. Shteti nuk u jepte asnjë ndihmë mjekësore, por familjet, edhe pse jo në gjendje të mirë ekonomike, detyroheshin të përballonin ilaçet dhe ushqimet për të sëmurët e tyre.

Në janarin e vitit 1945 shpërtheu ‘Revolta e Malësisë së Madhe’ me në krye Bajraktarin e Kelmendit, Preng Calin. Pak muaj më vonë, ‘Revolta e Koplikut’, me në krye Llesh Marashin që, më vonë do të zihej gjallë e do të ekzekutohej me varje…!

…U dërguan forca të shumta policore e ushtarake dhe mbas disa orë luftimesh, kryengritja më e madhe antikomuniste u shua. Krahina e Postribës e pagoi këtë revoltë shumë shtrenjt. Inkuizicioni i kuq, pushkatoi 15 vetë, ndër të cilët edhe disa nga qyteti i Shkodrës e, shumë të tjerë u dënuan me burg të rëndë.

Fundi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Shkodrën e mbarë Shqipërinë në një gjendje mjaft të mirë ekonomike, por Arka e Shtetit ishte boshatisur nga okupatori. Kjo rëndoi mbi tregtarët e pasur. Shteti u vuri tatimin e jashtëzakonshëm, për fitimet gjatë Luftës.

…Kur vinin të burgosur të dënuar rishtas, ata na tregonin lajme të reja rreth situatës në hetuesi, na tregonin se si njerëzit kalonin shkallën e arsyetimit dhe për t’u shpëtuar me çdo kusht torturave, kërkonin vdekjen e shpejtë.

Nga fundi i vitit 1946, spikeri i devotshëm komunist, Masar Bekteshi, njoftonte nga altoparlanti i Radio Shkodrës se, në kontrollin e bërë nga Forcat e Mbrojtjes së Popullit në Kishën Françeskane të Shkodrës, gjetën të fshehura disa arka me armë e municion. Ne të burgosurit politikë që po dëgjonim me vëmendje këtë lajm ogurzi, jo vetëm që nuk e besuam, por u revoltuam për këtë mashtrim dhelprak të përgatitur në kuzhinën e Sigurimit të Shtetit.

Por e vërteta do të merrej vesh më vonë. Skenari ishte përgatitur nga udhëheqja në Tiranë.

Në oborrin e gjimnazit françeskan u futën disa bastardë të Sigurimit të Shtetit, të lidhur me studentin seminarist Ndoc Vasili dhe të ndihmës kuzhinierit.

Brenda një dite filloi e mbaroi gjyqi, nga ku u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan:

Imzot Frano Gjini, vjeç 62.
Monsinjor Nikollë Deda, vjeç 58.
Padër Mati Prendushi, vjeç 66.
Çiprian Nika, vjeç 46.
Pader Pal Dodaj, vjeç 67.
Ndërsa Padër Donat Kurti, ish-drejtori i Gjimnazit Françeskan “Illyricum”, edhe ky dënohet me vdekje, por dënimi i kthehet në burgim të përjetshëm. /Memorie.al/

blank

Foto histori: Mësuesit nacionalistë Haki Taha dhe Bajram Gashi – Nga Kastriot Dervishi

Në foto (nisur nga e majta) janë mësuesit nacionalistë: Haki Taha (1913-1945) dhe Bajram Gashi (1914-1945). Të dy ishin mësues në Shënavlash të Durrësit në vitin 1939 dhe besohet se kjo foto mund të jetë bërë këtu. Bajram Gashi ishte mësues nga viti 1934, në Krujë, Durrës, Elbasan, Shënavlash e më pas në Pejë. Po ashtu edhe deputet në vitet 1943-1944. Bajrami qëndroi ndaj pushtimit sllav të Kosovës me armë në dorë. Ai u vra në Istog nga komunistët serbë më 8.2.1945, së bashku me Ram Alinë dhe Sali Ramën. Pak më shumë se një muaj nga kjo ngjarje, më 13 mars 1945 miku i Bajramit, Haki Taha vrau sekretarin e Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë Miladin Popoviçin, i cili kishte qenë njëkohësisht themelues i PKSH-së dhe eprori i Enver Hoxhës. Taha dhe Gashi janë heronjtë e vërtetë të Shqipërisë.
blank

“Disa bashkëvuajtës më thonë se nëna është shumë sëmurë, sa dëgjoi vendimin e dënimit tim, ajo…”/ Letra e rrallë nga burgu e ish-ministrit

Vasil Kati lindi në fshatin Labovë e Kryqit të rrethit të Gjirokastrës, në vitin 1920. Pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ai shkoi për të vazhduar studimet në Liceun e Shkodrës, ku bie në kontakt me pjesëtarët e Grupit Komunist të këtij qyteti, që drejtohej nga Zef Mala. Gjatë periudhës së pushtimit të vendit (1939-1944), ai kthehet në zonën e Gjirokastrës dhe merret me organizimin e rezistencës antifashiste dhe luftës partizane. Menjëherë pas mbarimit të Luftës, shoku dhe miku i tij i ngushtë, Nako Spiru, i cili në atë kohë mbante postin e ministrit të Ekonomisë Kombëtare e thërret në Tiranë, për të punuar së bashku në dikasterin që ai drejtonte, duke e bërë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij. Pasi punoi disa vjet në atë sektor të ekonomisë, Vasili u dërgua në Bashkimin Sovjetik, si përfaqësues i Shqipërisë në Moskë pranë KNER-it dhe më pas në Republikën Popullore të Kinës, si përfaqësuesi i Shqipërisë në Pekin. Në vitet ’60-të Vasil Kati u emërua dhe shërbeu në postin e ministrit të Tregtisë së Jashtme dhe si zv/ministër i Tregtisë, detyra të cilat i ushtroi deri në vitin 1975, kur Enver Hoxha godi të ashtuquajturin “Grupi armiqësore në Ekonomi” me në krye Abdyl Këllezin e Koço Theodhosin. Në atë kohë, bashkë me Këllezin e Theodhosin, dy zv/kryeministrat e qeverisë shqiptare, që kishin mbuluar për një kohë të gjatë dikasteret e Ekonomisë dhe Financave, arrestohet edhe Vasil Kati me Kiço Ngjelën, të akuzuar si bashkëpunëtorë të tyre. Pas disa muajsh hetuesi, ku Vasili torturohet në mënyrë çnjerëzore nga kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, gjeneral-major Nevzat Haznedari dhe zëvendësi i tij, Koço Josifi, Kati del në gjyq së bashku me Këllezin, Theodhosnin e Kiço Ngjelën dhe dënohet me 15 vjet burg. Dënimin e vuajti në disa kampe dhe burgje, si në Spaç, Qafë Bari, Burrel, Ballsh dhe Zejmen të Lezhës dhe ai mundi të lirohet vetëm në vitin 1990, në prag të shembjes së diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia. Po kështu që nga arrestimi i tij, familja (bashkëshortja, djali Adriani dhe vajzat, Kozara e Pranvera), u internua në fshatin Ndërmenas të Fierit, në një zonë kënetore ku ajo jetoi e punoi për vite me radhë, në kushte të mjerueshme. Pas viteve ’90-të, Vasil Kati hodhi në letër kujtimet e tija të cilët më pasi i botoi në librin me kujtime. “Në dallgët e jetës”. Vasil Kati ndërroi jetë në në vitin 2002. Shkrimi që kemi përzgjedhur këtu për botim, është marrë nga libri i tij,”Në dallgët e jetës”, ku ai publikon disa nga letrat, që i dërgonte familjes dhe merrte prej saj, në atë kohë që vuante dënimin në kampin-burg të Ballshit.

…Më sollën në një vendbanim të ri. Pas një izolimi të plotë prej gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë netësh e ditësh. Ndodhem disa kilometra larg jush, më thonë disa bashkëvuajtës dashamirës. Më duket sikur vijnë nga pjesa e prapme e hënës. Nuk di si jeni. Më njoftoni urgjentisht shëndetin…

Mundohuni të vini në takim, por duhet të frenojmë emocionet dhe mos përmbajtjen. Ndryshe, do të na shtohen traumat e streset dhe do të na krijojnë shqetësime e hidhërime të tjera…!

Ballsh, shtator 1977

(Fragment nga letra e parë dërguar nga burgu)

…Që tej në horizont iu dallova. Ju thosha në letër që të mbaheshim, por, mua, të parit, nga mallëngjimi m’u errën sytë dhe veshët më gjëmuan. U puthëm e u përqafuam si asnjëherë tjetër. Gojët të hapura, po fjalët nuk dilnin. Vetëm zemrat merreshin vesh.

U shqetësova shumë që nuk erdhi dhe NËNA. Ju më thatë se ishte e sëmurë. Unë s’e besova. Le të më shkruajë dy gisht letër, se ia njoh shkrimin.

Ata pak minuta na u kthyen në sekonda. Na u duk e pabesueshme që burrin ta takojë gruaja dhe fëmijët të takojnë të atin. Të përshkruash këto çaste do të duhej pena e ndonjë gjeniu.

Fëmijët që i lashë si lule prilli, m’u dukën sikur u ngjanin ngjyrave të kuqërreme të stinës pa gjethe. Po konsumojnë vitet më të bukura të jetës në kushte të rënda, por jeta duhet jetuar në të gjitha rrethanat.

Vogëlushi, që e shtyja me karrocë, vraponte dhe m’u fut në gji. Atje e kish folenë, si dallëndyshet që s’e harrojnë kurrë…!

Ballsh, tetor 1977…! Disa bashkëvuajtës më thonë se Nëna është shumë sëmurë. Më thoni të vërtetën, si është gjendja e saj. Mora vesh që sa dëgjoi vendimin e dënimit tim humbi ndjenjat. Jam në merak shumë të madh…! Të jesh kaq afër dhe Nëna të mos shoh djalin dhe djali Nënën!

Ballsh, nëntor 1977

…Që së largu e kuptova, që do të më njoftonit lajmin e zi. Dukeshit që në ecje. Ju merreshin këmbët. S’ka pikëllim më të madh se të marrësh lajmin e një fatkeqësie të tillë, kur je i mbyllur burgjeve. Për ca minuta ngushëlluam njëri-tjetrin me të qara e lotët nuk na pushonin. Ju ikët dhe mbeta i vetëm me pikëllimin.

Ajo sakrifikoi jetën duke mos u ndarë nga ne. Megjithëse i thanë të qëndronte larg për të shmangur internimin, ajo zgjodhi vet-flijimin dhe ndërroi jetë në internim.

Ishte virtuoze e fisnike. Ashtu siç ecte ngadalë ashtu dhe fliste gjithmonë e qetë. Ishte e dashur dhe gjithmonë e ëmbël me të gjithë. Të vështirë shumë e kishte të thoshte Jo-në. Na rriti ne dhe fëmijët tanë në “folenë” e saj që e mbajti të ngrohtë e të pastër. A ju kujtohet si ua mbante çantat dhe librat e shkollës në sepetin e nusërisë?

A ju kujtohet kur ju thoshte që shkronjat tuaja të para do t’i mbante në zemër si hajmali? Po kaq e përkujdesur kishte qenë dhe me ne. Djali i madh shkoi të ndihmonte Babanë e mërguar. Një djalë tjetër i vdiq i mitur në kraharor. Ndërsa ne, tre të tjerëve, na bëri të shkollohemi me arsim të lartë.

Jeta e saj bashkëshortore qe e shkurtër. Babai ynë që ndoqi kurbetin për të na shkolluar, nuk mundi të kthehej më në atdhe. Pas luftës, kur u punësuam në kryeqytet, ajo me zor u shkul nga fshati. E merte malli për gurët e shtëpisë. Qe mësuar ta zgjonin gjelat.

Donte të jetonte mes blerimit dhe cicërimave të zogjve, të dëgjonte gurgullimën ç’plodhëse të burimeve të kulluara dhe blegërimat e bagëtisë. Qe krenare që jetonte mes natyrës e rrethuar nga bukuri qytetërimesh të lashta dhe mesjetare.

Në kodrën përkarshi shtëpisë shihte kalanë më shumë se dymijë e pesëqind vjeçare, ajo vinte çdo të djelë në kishën bizantine më shumë se njëmijë vjeçare. Relikat e rralla të mbetura qysh prej kohëve mitologjike pranë Labovës së Kryqit, së bashku me natyrën magjepsëse përreth, i’a kishin fisnikëruar shpirtin.

Në Tiranë ndihej e huaj, por ne, kur u nisëm, menduam se Shqipëria e tërë do fisnikërohej. Të sëmurë e internuan dhe nuk mundi më të shikonte djemtë e saj…!

Tani prehet e qetë, larg së keqes. Varrin e saj duhet ta rrethoni me dafina. Do të vij mbase një ditë që do të mund ta dërgojmë në varrezat e fshatit ku lindi, ashtu siç qe dëshira e saj.

Shkëlqimi i shpirtit të Nënës s’ka për t’u shuar kurrë nga sytë e mi…!

Ballsh, dhjetor 1977

…Në çdo ditëlindje tuajën mundohem t’ju vizatoj portretin. Malli i pashuar shtyn lapsin dhe ai bindet. Do të doja t’ju dërgoja buqeta me lule, por lulet nuk i gjej dot këtu…!

Emrat tuaj i shënoj përditë në pëllëmbë të duarve. Pastaj i shoh dhe më duket sikur fjalosemi bashkërisht. Vitet shkojnë, por ne na duken njësoj, dita me natën na duket gjithnjë njësoj, po ashtu dhe dimri me beharin. Ngrica nuk po shkrin.

Ndonjëherë kam zili zogjtë, që bien netëve në gjumë midis degëve. Mundohem të mbyll sytë, por gjumi s’më zë. Ju mendoj juve, fëmijët e mi…të mirë e të virtytshëm. Ruajeni shpirtin të pastër, se ai jua lehtëson trupin e këputur nga lodhja, ndikon dhe në zbutjen e dëshpërimit, të hidhërimit e të çdo të keqeje që po vuani.

Në vegjëli u ngjanit lastarëve të njomë të thanës, tani degëve të forta të shkozës. Para shtateve tuaj unë mbeta vetëm si fotografi, por Nënën tuaj dhe gruan time, që ndoqi shembullin e Onfalias dhe Laudamias të lashtësisë, e kini mburojë.

Edhe pse me vitet që më rëndojnë mbi supe, do të mundohem të mos digjem si duhani, që të mblidhemi prapë së bashku, si lozet e hardhisë, që kacavirren me njëra-tjetrën…!

Zejmen, shkurt 1982

Shumë të dashurit e mi,

Shpirtrat, sado larg njëri-tjetrit, bashkëbisedojnë.

Kështu që dashurinë dhe dhembshurinë familjare do t’i ruajmë, si daljen e përditshme të diellit. Dëshirojmë që mbrëmja t’i ngjajë mëngjesit, Afërditës, dhe jo mjegullnajave që s’lënë gjurmë.

Ngandonjëherë, ëndërroj me sy hapët, sikur natyra të formonte ylbere shumëngjyrësh. Një këmbë ta hidhte tek ju e një tek unë. Kështu do të krijohesh një urë lidhjeje.

Vogëlushit i uroj nga zemra ditëlindjen, që po afron. T’ia festoni, sikur s’na ka ndodhur gjë, për ta mbajtur mend për mirë, në jetën pa telashe. Në çdo hap që do të hedhë, të marrë shembull nga alpinisti, që, për t’iu ngjitur shkëmbit, i ngul piketat me shumë kujdes.

Ca e nga ca, kanë për t’i pëlqyer dhe veprat e poetit plak dhe të verbër të lashtësisë, ku përshkruan vështirësitë e heronjve të asaj kohe. Ka për të kujtuar edhe dhimbjet e së kaluarës.

Në fotografi ngjanit si buketë manushaqesh. Si vesa e mëngjesit, që nuk lë të fishket bima. Natë e ditë i mbaj në gji. Dua të rrini ngrohtë…!

Nuk është e thënë që e ardhmja jonë të mbulohet nga retë. Do të ketë kthjelltësi. Si kaltërsia e lartësive. Edhe fëmijët do t’u ngjajnë zambakëve të freskët dhe jo trëndafilave të fishkur.

Lumturia nuk është kurrë absolute, me gjithë bukurinë e vet ajo thyhet here – herë. Edhe në qiellin e kthjellët, dalin grumbuj resh ndonjëherë papritmas. Por mes mjegullnajave gjen korridore të pazëna. Disa mendimtarë shprehen:

Ku ka dhimbje, do të ketë dhe gaz. Le të shpresojmë… ! Memorie.al

Qafë-Bar, mars 1985

(Në momentin e shkrimit të kësaj letre, nëna e Vasil Katit, nuk ishte më gjallë. Ajo kishte vdekur në internim, në Ndërnenas të Fierit, pak kohë më parë, në muajin korrik të 1977-ës).


Send this to a friend