ZËRA
Zëra njerëzish që s`janë më,
Zëra shkrepash thikëlatuar,
Zëra gjethesh vështrimhutuar,
Zëra vitesh me mballoma,
Zëra shelgjesh aq të njoma,
Zëra malesh fshehur në qiell,
Zëra dritash hedhur si miell…
Frymojnë zërat e vendlindjes
Pa mundur t`i shpëtosh ikjes…
KONICAOSE FAIK BEJ…
Më vjen në mendje Konica
Kur në thonja na fut spica,
Durohen spicat në thonj?
Po edhe thonjtë na ranë krejt
Nga inati kthyer në shenjt…
GJEST
Një gjest i bëra gurit të më fliste
Një gjest dimrit,rrugës me shelgjishte,
Dridheshin ngjyrat në të mugët,
Rendja dhe nga gjestet
Më vinin manifestet.
Shpalljet e ngritura në mungesë,
Ma ngritën një gur pa përtesë,
Se s`dita t`ia vë si pikë fjalisë
Në dëshirën pa mbarim,
Fjalisë erdh t`i vihet në fillim
Për të frenuar dëshirën që ulërin…
BUJË
Bujë e trazimeve të orekseve
Bujë trishtimi impotent,
Bujë ditësh që shkojnë e ndizen
Jerm.
Bujë tyryfylësh tek hidhen
Bujë kobndjellësish në amplifikim,
Shtyjnë një portë tek zemra ime,
Po s`e hapin që s`e hapin një deriçkë intime,
Kur trallisem nga bujë e qershive,
Bujë e pemëve kurorëblerta,
Bujë e tokës në magma të nxehta,
Bujë thellësish ku prehen të parët,
Ajo nuk ndjehet,gjëmon e shuar,
Ndizet platitet e freskuar,
Aty,pas deriçkës së zemrës,
Bujë e jetës…
KRIFA
Dikur kisha një krifë flokësh mbi supe,
Lagur në shi e vesë brilantine,
Tani kjo krifë është zhdukur
Si krifë kali në ëndërrime…
Si bari kur bie zjarri
Mbuluar në ngrica të bardha,
Si ta ketë ngrënë shalli
Lëkurë e huajtur nga përralla..
Lëvizën vitet si zhivë
Në mote temperaturash,
Tani dëshirat tund si krifë
Me fije të lënuara…
NXITIMI
Në këtë shoqëri pis,
Lisi shkurre bëhet dhe shkurrja lis,
Një njeri nxjer një kobure
Ikën duke mbushur poture,
Me nxit në xhepa na vjedhin para
Dhe t`u themi menderja sna e mba…
Dhe kaq të pafajshëm janë ata që na drejtojnë
Se ata e dinë:
Ne për t`i votuar nxitojmë….
BORA
Shtrihet në fusha bora
Era vërshëllen mbi rroben e saj,
Si një letër të bardhë tek dora
Zgjaten gishta dora ta mbajë…
Kjo letër kaq e hijshme,
Shkruar për një zhvigjërimi sekret,
Germat fshirë nga një bardhësi e frikshme,
Trembur nga era e një delikti inert…
NGJARJE
E dua një ngjarje patjetër,
Dikë sot do e shikoj vëngër,
Vetëm kështu del një ngjarje.
Nga shikimet e ëmbla s`mund të dalë një ngjarje.
Në pendulet e tyre shpirti tundet,
I gatshëm për varje…
PARA SE…
Para se të ndjesh fëshfërimin
Në minifundin e fustanit të diellit
Dhe para se të lexosh mbrëmjen
Parashutë e hedhur nga katastrofë e qiejve,
Ose guximin për të dalë
Nga kurthi i frikacakëve në hije,
Duhet të mendosh se si mund të lexojnë
Dy fjalë të pakta dashurie…
ZEMRA E DETIT
Zemra e ujtë e detit
Freskon zemrën tonë të zjarrtë,
Rreh në pickimin e peshqeve
Shfryn nëpër dallgë…
Dhe u lutemi peshkaqenëve
Në këtë zemër uji të begatë,
Të kollofisin njeriun –peshkaqen
Që në zemrën e detit s`e gjen…
Komentet