VOAL

VOAL

Demokratët kritikojnë drejtorin e FBI-së për refuzim të emërimit të Rusisë për sulme kibernetike

November 1, 2016
blank

Komentet

blank

Padi penale ndaj ish-Presidentit Trump, javën e ardhshme pritet dorëzimi i tij para autoriteteve

VOA

Një juri e madhe e Nju Jorkut votoi të enjten pro ngritjes së një padie penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump. Akuzat nuk janë bërë publike, por hetimet janë përqëndruar në pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, për të blerë heshtjen e ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, për një marrëdhënie seksuale që ajo pretendon se ka patur me zotin Trump. Kjo shënon herën e parë në historinë e vendit që një ish-president akuzohet për kryejen e një vepre penale. Ish-Presidenti Trump e cilësoi vendimin një gjueti shtrigash, dhe persekutim politik.

Padia penale ndaj ish-presidentit u ngrit nga Prokurori i Qarkut të Manhatanit Alvin Bragg dhe u mbështet nga juria e madhe. Por akuzat do të bëhen publike vetëm kur zoti Trump të paraqitet para një gjykatësi. Ekspertët besojnë se zoti Trump mund të akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit. Pagesa prej 130 mijë dollaresh bërë ish-aktores se filmave pornografike Stormy Daniels, nga avokati i zotit Trump, Michael Cohen, iu rimbursua këtij të fundit nga Organizata Trump, e më pas u regjistrua si shpenzim ligjor i kompanisë.

Ish-prokurori federal Neamah Rahmani e sheh aktpadinë si një zhvillim historik. Ish presidenti është duke u hetuar edhe për raste të tjera.

“Kjo është hera e parë që një ish-president akuzohet për një krim. Është e pashembullt. A do të ndjekin edhe prokurorët e tjerë, si prokurori i posaçëm Jack Smith, apo prokurorja e Qarkut të Atlantës Fani Willis, të njëjtin shembull dhe ta akuzojnë Donald Trump-in për krime më të rënda”, thotë ish-prokurori federal Neamah Rahmani.

Në një postim në internet zoti Trump, i cili ka kandiduar sërish për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, e quajti aktpadinë një persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhje.

Stormy Daniels, aktorja e filmave pornografikë

Stormy Daniels, aktorja e filmave pornografikë

Dy hetime të mëparshme rreth pagesës për ish aktoren e filmave pornografikë nuk përfunduan në ngritje akuzash. Prokurorët federalë që i filluan hetimet ia përcollën çështjen ish prokurorit të Manhatanit Cyrus Vance, i cili po ashtu nuk vendosi të ngrejë akuza. Por prokurori aktual Alvin Bragg, i zgjedhur në nëntor të vitit 2021, i rihapi hetimet dhe mendon se ka prova të mjaftueshme për padi penale.

“Ky ishte një rast për të cilin Prokurori i Qarkut të Manhattan Alvin Bragg mendoi se kishte baza të forta ligjore ku mund të mbështeste akuzën e tij. Michael Cohen, u dënua për të njëjtën gjë nga prokurorët Federale. Njerëzit menduan në atë kohë se çfarë e bën Donald Trump-in të ndryshëm, pse ai duhet t’i shpëtojë ndjekjes penale në një kohë kur ka qenë i përfshirë në të njëjtën skemë?, thotë zoti Rahmani.

Në një intervistë në Fox News Senatori republikan Lindsey Graham i doli në mbrojtje zotit Trump. Ai e krahasoi çështjen e tij, me seancat për konfirmimin në Senat të anëtarit të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh, i cili u emërua nga zoti Trump dhe u përball me akuza për ngacmim seksual.

“Demokratët u përpoqën të shkatërronin Brett Kavanaugh sepse donin kandidatin e tyre në Gjykatën e Lartë. Ata po përpiqen të shkatërrojnë Donald Trumpin, sepse i frikësohen rezultatit që ai mund të sigurojë në zgjedhje”, tha ai.

Analistja politike Sherry Bebitch Jeffe mendon se kjo lëvizja e prokurorit demokrat mund të ndihmojë zotin Trump në përpjekjet e tij për të fituar si kandidat i republikanëve për zgjedhjet presidenciale.

“Mbështetësit e tij do të zemërohen dhe nuk do ta pranojnë aktakuzën. Është ende herët, por nëse zemërimi vazhdon deri në zgjedhjet paraprake, brenda partive, ata do të jenë votuesit me pjesëmarrjen më të lartë”, thotë ajo.

Megjithatë zonja Jeffe thotë se aktakuza do ta dëmtojë zotin Trump në zgjedhjet presidenciale, duke i kushtuar atij votat e amerikanëve të pavarur.

Pas njoftimit për ngritjen e padisë penale mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump u mblodhën të enjten në mbrëmje jashtë rezidencës së tij në Mar-a-Lago të Floridës.

John Skeadas, nga Nju Jorku, por pronar i një shtëpie në Florida, e sheh rastin si një përpjekje për të persekutuar zotin Trump, e që vë në rrezik të drejtat e të gjithë amerikanëve.

“Nëse nuk ngrihemi për atë që është e drejtë, atëherë nuk jemi më të mirë se Venezuela, nuk jemi më mirë se Kuba, Afganistani, apo Kina. Ndaj unë jam këtu si amerikan dhe mbështes demokracinë tonë”, thotë ai.

Ndërkohë ish-prokurori federal Neamah Rahman i druhet pasojave afatgjata që mund të sjellë aktpadia ndaj ish-presidentit.

“Si një ish-prokuror, besoj se askush nuk është mbi ligjin, madje edhe një ish-president. Por ajo që ngre si pikëpyetje është: a po hapim një kuti politike të Pandorës. Nëse republikanët rimarrin kontrollin e Shtëpisë së Bardhë: A do të ndjekin ata penalisht individë si Hunter Biden, Joe Biden apo Hillary Clinton? A është ky një hap i paprecedentë që do të dëmtojë sistemin tonë të drejtësisë penale dhe demokracinë tonë?”, pyet ai.

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg

Prokurorët kanë thënë se po punojnë për të koordinuar dorëzimin e zotit Trump, gjë që mund të ndodhë në fillim të javës së ardhshme. Ekspertet thonë se pritet të zhvillohet një seancë e shkurtër, ku ai do të njihet me akuzat, do t’i merren shenjat e gishtrinjve, do të fotografohet dhe më pas të lirohet.

Ende nuk dihet nëse gjykatësi do t’i pranojë si të vlefshme akuzat penale të prokurorit Bragg, për të zhvilluar një proces gjyqësor apo do t’i hedhë ato poshtë. Në kushtet kur bëhet fjalë për një ish-president, autoritetet po marrin masa sigurie në Nju Jork, për të shmangur cdo lloj incidenti.

Ekspertët kushtetues thonë se pavarësisht ngritjes së akuzave penale, kjo nuk do ta ndalojë zotin Trump të kandidojë për president, madje edhe në rast dënimi të tij, thonë ata, ai do ta merrte sërish detyrën, nëse fitonte.

blank

DeSantis sulmon Sorosin: Nuk do të firmos për ekstradimin e Trumpit

Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, tha se nuk do të firmosë një kërkesë për ekstradimin e ish-presidentit Donald Trump.

Reagimi i tij vjen pasi ndaj Trump është ngritur padi, ndërsa mund të arrestohet javën që vjen. Trump jeton në shtetin e Floridas, ndërsa padia është ngritur nga një Juri e Madhe në Nju Jork.

Gjatë një reagimi, DeSantis, i cili është kandidat i republikanëve në zgjedhjet presidenciale, tha se padia ndaj Trump është jo-amerikane dhe tregon se sistemi ligjor po përdoret si armë për të avancuar një axhendë politike.

Më tej, DeSantis sulmoi edhe miliarderin George Soros, duke thënë se ai ka paguar për prokurorin e Nju Jorkut që ka ngritur padinë.

“Prokurori i qarkut të Manhattan-it, i mbështetur nga Soros, ka thyer vazhdimisht ligjin, duke ulur vlerësimet për krimet dhe duke justifikuar sjelljet kriminale. Megjithatë ai tani po shënjestron një kundërshtar politik”, tha DeSantis.

“Florida nuk do e pranojë një kërkesë ekstradimi, duke pasur parasysh rrethanat e dyshimta të kësaj çështje me një prokuror të mbështetur nga Soros dhe axhendën e tij politike”.

Rezidenca kryesore e Trump është në Mar-a-Lago në Palm Beach të shtetit Florida. syri.net

blank

Arrestimi i gazetarit në Moskë, Blinken thirrje amerikanëve: Nëse jeni në Rusi, largohuni menjëherë!

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ka reaguar pas arrestimit të gazetarit amerikan Ivan Gershkoviç në Rusi, pasi akuzohet për spiunazh.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Blinken u ka bërë thirrje amerikanë që ndodhen në Rusi të largohen.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për njoftimin e Rusisë se ka arrestuar një gazetar shtetas amerikan. Prioriteti më i lartë i yni është siguria e qytetarëve amerikanë jashtë vendit. Nëse jeni një shtetas amerikan që jetoni ose udhëtoni në Rusi, ju lutemi largohuni menjëherë’, kjo ka qenë thirrja e Blinken.

Shtëpia e Bardhë shprehu gjithashtu “shqetësimin e thellë” për arrestimin e gazetarit.

Me vendim gjykate ai është lënë në burg për dy muaj dhe nëse shpallet fajtor, dënimi mund të arrijë deri në 20 vjet. Gjyqet për spiunazh zhvillohen me dyer të mbyllura dhe lirimet janë shumë të rralla.bw

blank

Republikanët shprehin mbështetje për zotin Trump pas ngritjes së akuzave penale

VOA/Marrë nga Reuters

Udhëheqës të lartë republikanë në Kongres shprehën mbështetje për ish-Presidentin Donald Trump, ndërsa një juri e madhe në Manhatan hapi dritën jeshile për ngritjen e akuzave penale ndaj tij. Republikanët i akuzuan demokratët se po e përdorin politikisht sistemin e drejtësisë.

Reagimi i ashpër i republikanëve ndaj ngritjes së akuzave të enjten pasqyron mbështetjen që ende gëzon zoti Trump tek Partia Republikane dhe shumë prej votuesve të tij, ndërsa ai përpiqet të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, tha se ngritja e aktakuzës tregon se “sistemi ynë i shenjtë i drejtësi u përdor politikisht” kundër zotit Trump.

Ligjvënësja Elise Stefanik, një tjetër udhëheqëse në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, e quajti aktakuzën një, “gjueti politike shtrigash dhe një ditë të errët për Amerikën”.

Senatori i Floridës, republikani Rick Scott e quajti ngritjen e aktakuzës një “hakmarrje politike kundër Presidentit Trump”, ndërsa Senatori Ted Cruz i Teksasit e quajti atë “një përshkallëzim katastrofik të përdorimit politikisht të sistemit të drejtësisë”.

Ish-Presidenti Trump e quajti ngritjen e aktakuzave një “persekutim politik”. Kandidati për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024 i përgatiti mbështetësit e tij ndërsa deklaroi javën e kaluar se ndaj tij do të ngriheshin akuza lidhur me pretendimet për pagesa për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels. Javën e kaluar fushata presidenciale e zotit Trump mblodhi rreth 2 milionë dollarë, sipas drejtuesve të saj.

Zoti Trump është kandidati kryesor republikan në zgjedhjet e presidenciale të vitit 2024. Ai gëzon mbështetjen e rreth 44% të republikanëve, sipas një sondazhi të mbyllur të hënën nga Reuters/Ipsos dhe pasohet nga guvernatori i Floridës Ron DeSantis me 30%, pavarësisht se ky i fundit ende nuk ka shpallur kandidaturën.

Përmes një shkrimi në rrjetitn Twitter, guvernatori DeSantis tha se ngritja e aktakuzës ishte joamerikane.

“Përdorimi politikisht i sistemit tonë të drejtësisë për të avancuar një axhendë politike e kthen me kokë poshtë zbatimin e ligjit”, thuhet në postimin e zotit DeSantis në rrjetin Twitter. “Prokurori i Qarkut të Manhatanit, i mbështetur nga Sorosi, ka deformuar vazhdimisht ligjin duke lënë të lirë krimilenët. Megjithatë, tani ai po tendos ligjin për të vënë në shënjestër një kundërshtar politik”, shprehet mes të tjerash zoti DeSantis.

Por ngritja e aktakuzës paraqet probleme për zotin Trump i cili po përpiqet të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Ligjvënësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Ted Lieu e quajti ngritjen e akuzës një “precedent tronditës” por të nevojshëm nëse zoti Trump kishte kryer krime. Kolegu i tij demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Jamaal Bowman tha se, “Është koha të sigurohemi që Trump-i të ndalohet të kandidojë përsëri për ndonjë post publik”.

blank

Ngrihen akuza penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Votimi i një jurie të madhe në Manhatan ka hapur dritën jeshile për ngritjen e një padie ndaj ish-Presidentit Donald Trump, nën akuza që kanë të bëjnë me pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 për të blerë heshjen e një aktoreje të filmave pornografikë lidhur me pretendimet për mardhënie jashtëmartesore.

Republikani Donald Trump, i cili po kandidon për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024, tha përmes një deklerate në rrjetin e tij “Truth Social” se: “Ky është një persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhje në nivelin më të lartë në histori”.

Ish-Presidenti Trump tha në dekleratë se, demokratët e majtë radikalë u përpoqën me çdo mënyrë të minonin presidencën e tij që nga momenti që ai u deklarua fitues i zgjedhjeve presidenciale.

Ky është rasti i parë ndonjëherë i ngritjes së akuzave penale ndaj një ish-presidenti amerikan dhe një goditje ndaj përpjekjeve të zotit Trump për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024.

“Demokratët kanë gënjyer, mashtruar dhe vjedhur në përpjekjet e tyre për të shtënë në dorë Trump-in. Por tani kanë bërë të paimagjinueshmen, duke ngritur padi ndaj një personi plotësisht të pafajshëm, në një akt flagrant të ndërhyrjes në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e zotit Trump.

Aktakuza u konfirmuar të enjten nga Joe Tacopina, një avokat i zotit Trump, dhe të tjerë që kanë njohuri mbi këtë çështje por nuk janë të autorizuar për të diskutuar akuzat që ende nuk janë bërë publike.

Hapja e dritës jeshile nga juria e madhe për ngritjen e akuzave ndaj 76-vjeçarit Trump, është një ngjarje e jashtëzakonshme pas vitesh hetimesh mbi marrëdhëniet e tij në fushën e biznesit dhe politikës.

Ngritja e padisë ka të ngjarë të nxisë kritikët që thonë se zoti Trump bëri manipulime deri në marrjen e Shtëpisë e Bardhë, por nga ana tjetër, kjo do të angazhojë mbështetësit e tij, të cilët thonë se republikani Trump po vihet padrejtësisht në shënjestër nga një prokuror demokrat.

“Prokurori i Mahatanit Alvin Bragg, i cili u zgjodh dhe u financua nga George Soros, është një turp. Në vend që të ndalojë valën e paprecedentë të krimit që ka pushtuar qytetin e Nju Jorkut, ai po bën punën e pistë të Joe Biden-it”, shprehet zoti Trump në deklaratën e tij të postuar në rrjetin ‘Truth Social”.

Avokati Tacopina tha në një deklaratë se: “Ai nuk ka kryer asnjë krim. Ne do ta luftojmë fuqishëm në gjykatë këtë ndjekje politike”.

Hetimi i prokurorit u përqendrua tek paratë e paguara aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe ish-modeles së revistës “Playboy” Karen McDougal, për të cilat ai druhej se do t’i shprehnin publikisht pretendimet se kishin patur mardhënënie intime me të.

Zoti Trump, i cili ka hedhur poshtë akuzat dhe ka sulmuar në mënyrë të përsëritur hetimin si të motivuar politikisht, pritet t’u dorëzohet autoriteteve javën e ardhshme, megjithëse detajet janë ende duke u përpunuar, sipas një personi anonim që ka njohuri për çështjen.

Prokurori i qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, po ndërmerr një hap të pazakontë. Rasti në fjalë u hetua nga dy prokurorë të mëparshëm, të cilët refuzuan të ndërmarrin hapin me peshë të madhe politike për të kërkuar ngritjen e padisë ndaj zotit Trump.

blank

SHBA me 690 milionë dollarë programe për të fuqizuar demokracinë në mbarë botën

Nga Takimi virtual për Demokracinë në auditorin e Shtëpisë së Bardhë (29 mars 2023)

VOA

Presidenti Joe Biden çeli punimet e Takimit të dytë për Demokracinë, duke premtuar se Shtetet e Bashkuara do të investojnë 690 milionë dollarë gjatë vitit që vjen për të fuqizuar programet e demokracisë në mbarë botën.

“Po ndryshojmë rrjedhën këtu. Siç e themi shpesh, gjendemi këtu në një pikë kthese të historisë, kur vendimet që marrim sot do të ndikojnë tek kursi i botës sonë për të paktën disa dekada në vazhdim”, tha Presidenti Biden.

Shtëpia e Bardhë vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë në veçanti që ta bëjnë “teknologjinë të punojë në favor të demokracisë dhe jo kundër saj”.

Në këtë forum, kryeministrat e tetë vendeve evropiane nënshkruan një letër të hapur drejtuar drejtuesve të kompanive kryesore të mediave sociale duke u bërë atyre thirrje që të tregohen më agresivë në bllokimin e përhapjes së informacionit fals në platformat e tyre. Letra u nënshkrua nga udhëheqësit e Ukrainës, Moldavisë, Polonisë, Republikës Çeke, Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Sllovakisë.

“Platformat e teknologjisë si e juaja janë shndërruar në fushëbeteja virtuale, dhe fuqi të huaja armiqësore po i përdorin për të përhapur variante false që bien në kontradiktë me raportimin që bëjnë mediat me lajme të bazuara në fakte”, thotë letra. “Reklamat e paguara dhe rritja artificialisht e mesazhit në platformat e kompanisë Meta, përfshirë Facebook-un, përdoren shpesh për të bërë thirrje për trazira sociale, shkaktim të dhunës në rrugë dhe destabilizimin e qeverive”.

Rreth 120 udhëheqës nga mbarë bota janë duke marrë pjesë në takimit përgjithësisht virtual, një përpjekje e Presidentit Biden për të forcuar pozitat e demokracive në një kohë kur qeveritë autokratike po përparojnë me axhendat e tyre, si sulmi prej 13-muajsh i Rusisë në Ukrainë dhe aleanca e Kinës me Moskën.

“Presidenti Biden e ka quajtur betejën për të fuqizuar qeverisjen demokratike në vend dhe jashtë tij si sfidën përcaktuese të kohërave tona”, deklaroi Shtëpia e Bardhë. “Kjo është për shkak se demokracia, qeverisja transparente dhe e përgjegjshme përpara popullit, mbeten mënyra më e mirë për të arritur paqe afatgjatë, begati dhe dinjitet njerëzor”.

Presidenti Biden flet gjatë takimit, ndërsa në krah qëndron Sekretari i Shtetit Blinken (29 mars 2023)

Presidenti Biden flet gjatë takimit, ndërsa në krah qëndron Sekretari i Shtetit Blinken (29 mars 2023)

Përpara se të mbanin fjalimet e tyre udhëheqësit në lidhje me demokracinë në vendet e tyre, Presidenti Biden dhe Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol thanë nëpërmjet një deklarate të përbashkët se “forcimi i qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, të bazuar tek miratimi i të qeverisurve është një parim themelor i kohërave tona”.

Shtëpia e Bardhë tha se financimi i ri amerikan, për të cilin do të duhet miratimi i Kongresit, do të përqëndrohet tek programet që mbështesin median e lirë dhe të pavarur, luftimin e korrupsionit, fuqizimin e të drejtave të njeriut, mbështetjen e teknologjive që përmirësojnë demokracinë, si dhe mbështetjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Por, Shtëpia e Bardhë pranoi edhe mangësitë e vetë Shteteve të Bashkuara për sa i përket demokracisë, përfshirë faktin që deri më tani Presidenti Biden nuk ka arritur të fitojë miratimin në Kongres të legjislacionit që synon të zgjerojë të drejtën e votës. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë vuri në dukje se është shtuar personeli i Departamentit të Drejtësisë për zbatimin e të drejtës së votës dhe se është miratuar legjislacion për të qartësuar procedurat e votimit në Kongres gjatë procesit të numërimit të votave elektorale për zgjedhjen e presidentit.

blank

Banorët e Scrantonit, vendlindjes së Joe Bidenit, pikëpyetje për rikandidimin e mundshëm të tij

VOA

Në qytetin Scranton të Pensilvanisë, vendlindjes së Joe Bidenit, banorët kanë mendime të ndryshme nëse ai duhet të rikandidojë për një mandat tjetër presidencial. Disa prej tyre, thonë se kishin shpresuar që qyteti të ishte zhvilluar më shumë nën presidencën e tij, ndërsa të tjerë shprehen se Scrantoni ka njohur zhvillim dhe i mbijetoi pasojave të pandemisë së koronavirusit falë politikave të administratës Biden. Materiali në vijim sjell opinionet e disa prej banorëve dhe arsyet që ata thonë se do t’i nxisnin për të mbështetur zotin Biden, i cili pritet të njoftojë kandidimin president gjatë javëve të ardhshme.

Në vendlindjen e Joe Bidenit, në qytetin Scranton në shtetin e Pensilvanisë, nuk mund të mos vihen re simbolet që tregojnë dashamirësinë ndaj Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Dy rrugë dhe një autrostradë mbajnë emrin e Joe Bidenit.

Letrat e Presidentit, dërguar individëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile apo drejtuesve lokalë të qytetit, ku ai çmon “vlerat e banorëve të Scrantonit ”, të cilët janë të njerëzishëm dhe punojnë fort, disa prej tyre, i kanë vendosur me krenari në dhomat e pritjes apo në zyra.

“Kjo është një letër që Presidenti Biden na e dërgoi pas mbërmjes së madhe kushtuar anëtarëve të komunitetit afro-amerikan që shënuan arritje të mëdha, vitin e kaluar”, thotë Glyn Johns, themeluese e projektit “Black Scranton”

Dy banorë tregojnë se nënat e tyre u gëzuan pasi Presidenti i telefonoi në mënyrë të papritur, gjatë një prej vizitave të tij. Disa pronarë biznesesh thonë se i shpëtuan falimentimit falë programeve mbështetëse që miratoi administrata e zotit Biden.

Megjithatë, janë të paktë banorët që shprehen se jeta e tyre është përmirësuar nën udhëheqjen e demokratit.

Glyn John, një aktiviste 29 vjeçare, tregon se kishte shpresuar se drejtimi i Shtëpisë së Bardhë nga një politikan i lindur në Scranton do të ndihmonte në nxjerrjen në dritë të problemeve me të cilat përballen qytetet amerikane, që dikur vareshin nga industria e qymyrit apo prodhimi i çelikut. Thuajse një në pesë banorë të Scrantonit jeton në varfëri, thuajse dyfishi i mesatares në nivel kombëtar ndërsa në renditjen e shkollave në nivel kombëtar dhe shtetëror, shkollat e Scrantonit pozicionohen pothuajse në fund.

Deri tani, kjo e re ndihet zhgënjyer.

“Anëtarët e komunitetit afro-amerikan zgjodhën të jetojnë këtu. Këtu duan të jetojnë të lirë. Por gjithçka që kemi ditur mbi komunitetin afro-amerikan po shkatërrohet dhe nuk dua që kjo të ndodhë. Nëse do të na ndihmojë, le të na mbështesë me burime financiare. Le të më ndihmojë që të zgjeroj edhe më shumë këtë qendër, që njerëzit të vijnë dhe të shohin gjërat që ky komunitet mund të bëjë, që vetë zoti Biden ka deklaruar se besonte se ne mund të bënim. Nëse ai thotë se do të ndihmojë vendlindjen e tij, 100,000% që do ta votoj”, thotë ajo.

Vota e komunitetit afro-amerikan ishte e rëndësishme për fitoren në zgjedhje të zotit Biden, por përfaqësues të Partisë Demokratike druhen se zgjënjimi tek ky komunitet po rritet dhe se ata nuk kanë më besim se politika mund t’u japë zgjidhje problemeve të tyre.

“Mendoj se disa politikanë që kanë qenë pjesë e klasës politike duhet të largohen dhe t’i hapin rrugë brezit të ri. Ta ndihmojnë dhe ta mësojnë këtë brez se si të udhëheqë”, thotë Amber Viola, drejtuese emisioni.

Disa banorë të Scrantonit shprehen të shqetësuar mbi mundësinë që zoti Biden të rikandidojë për President. Aktualisht 80 vjeç, ai është presidenti më i vjetër në historinë e Shteteve të Bashkuara. Në rast se do të rikonfirmohej, ai do të ishte 86 vjeç në fund të mandatit të dytë.

“Shqetësohem për moshën dhe shëndetin e tij”, thotë Jenn Saunders, banore e qytetit të Scrantonit.

“Si zoti Trump që kërkon të rikandidojë dhe Presidenti Biden, janë të dy në të 80-at. Shumë të rinj duan që të kandidojë dikush më energjik”, thotë Amber Viola, drejtuese emisioni.

Joe Biden pritet të shpallë zyrtarisht kandidaturën gjatë javëve të ardhshme.

Sondazhet në nivel kombëtar tregojnë se demokratët do të preferonin një kandidat më të ri dhe mungesa e entuziazmit në Scranton mund të jetë një sinjal i hershëm paralajmërues për Partinë Demokratike.

Mbështetja popullore për zotin Biden vijon të mbetet mjaft e ulët. Sipas një sondazhi të kryer nga agjencia e lajmeve Reuters dhe kompania Ipsos mbështetja ndaj tij ishte 42%, muajin e kaluar, më e larta në muajt e fundit.

Shumë banorë të Scrantonit thonë se mund ta mbështesin sërish zotin Biden në vitin 2024, megjithëse pa shumë entuziazëm. Ata u shprehën të zhgënjyer për rënien ekonomike me të cilën përballet qyteti prej një kohe të gjatë si dhe mungesën e dukshme të mundësive në 2024.

Pjesëmarrja e ulët në votime, krahasuar me shumë demokraci të tjera, bën që entuziazmi të luajë një rol vendimtar në garat që mbahen në Shtetet e Bashkuara.

Në 4 zgjedhjet e fundit presidenciale, morën pjesë mesatarisht 57% e votuesve.

Ekipi i zotit Biden thonë se e mirëpret një përballje tjetër të mundshme të tij me zotin Trump, me argumentin se kjo do të nxisë bazën që nuk mbështet ish-presidentin dhe është i zemëruar me të. Megjithatë, sondazhet tregojnë, se populli amerikan nuk mendon njësoj.

Ish kryebashkiaku i qytetit të Scrantonit, Jim Connors, thotë se është krenar për udhëheqjen që dëshmoi zoti Biden pas sulmit që Rusia ndërmori ndaj Ukrainës.

“Ai shkoi në Ukrainë për të ndihmuar. Ai është nga Scrantoni. Këtë bëjmë ne. Ky qytet njihet si qyteti i miqësisë. Në këtë mënyrë është rritur Joe. Nëse ai do të rikandidojë, atëherë le të ngrihet dikush, ta sfidojë”, Jim Connors, ish kryebashkiaku i qytetit të Scrantonit.

Paige Cognetti, kryetarja aktuale e Bashkisë së Scrantonit thotë se nën presidencën e zotit Biden, qyteti ka njohur zhvillim, edhe pse në disa raste, nuk vihet re. Ajo thotë se qyteti ka përfituar nga mbështetja prej miliona dollarësh që administrata e zotit Biden ofroi për përballimin e pasojave të pandemisë COVID, duke përfshirë pagesën për një flotë të re automjetesh elektrike.

Bashkia ka shfrytëzuar fondet federale për rritur pagat dhe për të mbështetur bizneset e vogla. Zoti Biden po mbështet gjithashtu një projekt për ndërtimin e një linje të re hekurudhore nga Scrantoni në qytetin e Nju Jorkut.

“Kur mendoj për Presidentin Biden, nuk e mendoj vetëm si presidentin që ka lindur në qytetin tonë,” tha zonja Cognetti. “E mendoj si Presidenin që ka nisur një epokë financimi për gjërat që realisht u duhen qyteteve si Scrantoni”, thotë Paige Cognetti, Kryetare e Bashkisë e Scrantonit.

blank

Mblidhet përsëri juria e madhe e Manhatanit për hetimin e ish-presidentit Trump

VOA

Juria e madhe e Manhatanit, që po heton për ish-presidentin Donald Trump lidhur me pagesën për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels në ditët e fundit të fushatës presidenciale të vitit 2016, në këmbim të heshtjes së saj, pritej të mblidhej të hënën për të dëgjuar prova të mëtejshme. Megjithatë nuk ka anjë informacion se kur mund t’i kërkohet kësaj jurie të votojë për një aktakuzë të mundshme.

Është hera e parë që juria dëgjon dëshmi për këtë hetim që nga e hëna e kaluar.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, një ndër personat kryesorë për hetimet u pa sot të largohej nga godina në Manhatan ku është mbledhur prej muajsh juria e madhe.

David Pecker, një mik i hershëm i ish-Presidentit Trump dhe ish-drejtues i kompanisë që ka në pronësi gazetën National Enquirer, u pa edhe disa javë më parë në të njëjtën godinë, duke sugjeruar kështu se dëshmia e tij mund të jetë thelbësore ndërsa prokurorët vazhdojnë të përpiqen për ngritje të akuzave penale ndaj ish-presidentit.

Një automjet duke u larguar nga godina pasi David Pecker mendohet se u takua me jurinë e madhe (Nju Jork, 27 mars 2023)

Një automjet duke u larguar nga godina pasi David Pecker mendohet se u takua me jurinë e madhe (Nju Jork, 27 mars 2023)

Ish-presidenti Trump deklaroi më 18 mars në platformën e tij të mediave sociale, se ngritja e akt-akuzës ishte e pashamngshme dhe tha se priste të arrestohej të martën e kaluar. Që atëherë ai ka përdorur mungesën e një aktakuze për të pohuar, duke mos dhënë asnjë provë, se hetimi po dështon.

Ish-presidenti republikan gjithashtu ka përshkallëzuar retorikën e tij, duke paralajmëruar se “vdekja dhe shkatërrimi i mundshëm” do të shoqëronte çdo aktakuzë. Ai postoi gjithashtu një foto të tij duke mbajtur një shkop bejsbolli pranë një fotografie të Prokurorit të Manhatanit Alvin Bragg, një demokrat.

Pagesa në këmbim të heshtjes nuk përbën në vetvete një krim. Por prokurorët federalë thonë se pagesa për zonjën Daniels, si dhe për një grua tjetër, Karen McDougal, duhej të ishte raportuar si shpenzim fushate elektorale, ndërkohë që ato u regjistruan si shpenzim ligjor, një shkelje e ligjeve federale. Zoti Trump ka mohuar se pagesa ishte “kontribut për fushatën”.

Ekspertët ligjorë thonë që nëse ngrihen akuza, ato ka të ngjarë që të përqendrohen tek falsifikimi i dokumenteve financiare. Por në Nju Jork, falsifikimi i të dhënave të biznesit konsiderohet një kundravajtje. Për ta ngritur akuzën në nivelin e një vepre penale, prokurorët duhet të vërtetojnë se veprimi i mashtrimit (kundërvajtja) ka patur si synim mbulimin e një krimi tjetër.

Kjo është vetëm një nga sfidat ligjore për ish-presidentin që ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për zgjedhjet e vitit 2024.

Prokurori i posaçëm Jack Smith po drejton hetimet e Departamentit të Drejtësisë mbi dokumentet sekrete që iu gjetën ish-presidentit në rezidencën e tioj private, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, si edhe mbi përpjekjet e zotit Trump dhe aleatëve të tij, për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Një hetim, tjetër është duke u zhvilluar nga prokurori në Xhorxhia, mbi përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet.

blank

Rosenstock-Siller: Përdorimi i forcës nga NATO më 1999 ishte i domosdoshëm dhe legjitim

Këshilltarja Politike në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Elisabeth Rosenstock-Siller, ka thënë se përdorimi i forcës nga NATO kundër regjimit të Serbisë ishte i domosdoshëm dhe legjitim.

Sipas saj, kjo ndërhyrje erdhi vetëm pasi ishin shteruar të gjitha rrugët diplomatike për t’i dhënë fund një fushate brutale të spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Millosheviqit.

“Njëzet e katër vjet më parë, NATO nisi Operacionin Forcat Aleate për t’i dhënë fund një dekade gjakderdhjeje në Ballkan. Kjo ndërhyrje erdhi vetëm pasi kishte shteruar të gjitha rrugët diplomatike për t’i dhënë fund një fushate brutale të spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Millosheviqit”.

“Përdorimi i forcës nga NATO në këtë rast ishte i domosdoshëm dhe legjitim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shprehur shqetësimet e tij për situatën e rëndë humanitare në Kosovë, numrin në rritje të refugjatëve dhe kërcënimin që paraqiste për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Kujtoni qindra mijëra njerëz të pafajshëm të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të vrarë ose të zhdukur për shkak të dhunës së regjimit etno-nacionalist të Millosheviçit dhe forcave të tij”.

Sipas saj, është detyrë e qeverive të Serbisë dhe Kosovës që të sigurojnë që të gjitha viktimat dhe familjet e tyre të kenë qasje të plotë në drejtësi dhe informacion për fatin e të dashurve të tyre.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja qeverive që të mbështesin përpjekjet për drejtësi dhe llogaridhënie, duke përfshirë edhe shprehjen kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës”.

“Ndjejmë keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të pafajshëm, përfshirë ata që humbën jetën gjatë Operacionit të Forcave Aleate. Kur vizitoi Beogradin në vitin 2016, Presidenti Biden shprehu ngushëllimet e tij personale për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. Shprehi ngushëllimet e mia të përzemërta edhe sot. Megjithatë, nuk duhet harruar asnjëherë se si filloi ky konflikt dhe pse”.

“Zoti Kryetar, Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht një të ardhme demokratike, të begatë dhe paqësore për Ballkanin Perëndimor dhe mirëpresin marrëveshjen e arritur nga Kosova dhe Serbia përmes lehtësimit të Bashkimit Evropian për zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Siç tha Sekretari Blinken, Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Serbinë dhe Kosovën në funksionimin e zbatimit në ndjekje të një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore. Ne do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e qeverisjes demokratike, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”.

“Le të nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetën duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme paqeje dhe prosperiteti për të gjithë në Ballkanin Perëndimor”. syri.net

blank

Rrokaqielli simbol i Nju Jorkut “Flatiron” u shit për 190 milionë dollarë

VOAL- “Flatiron” (Hekuri), një rrokaqiell simbol i Nju Jorkut me arkitekturën e tij karakteristike të fillimit të shekullit të njëzetë, u shit të mërkurën në ankand për 190 milionë dollarë (174 milionë franga). Shitja do të zgjidhë një mosmarrëveshje midis pronarëve të saj.

Ai që rrëmben ndërtesën historike, bosh që nga viti 2019, është financuesi Jacob Garlick, themeluesi i fondit të investimeve Abraham Trust.

blank

Një imazh i Flatiron i marrë nga Empire State Building

 

Ndërtesa Flatiron është një ndërtesë zyre 22-katëshe, 87 metra e lartë e vendosur në Midtown Manhattan në kryqëzimin e Rrugës 22, Fifth Avenue dhe Broadway. Forma karakteristike “e hekurt” e ndërtesës është për shkak të kryqëzimit midis Fifth Avenue dhe Broadway, e vetmja rrugë në Manhattan që nuk është në përputhje me planin drejtvizor të ishullit.

blank

I ndërtuar në dy vjet dhe i përfunduar më 1902, “Flatiron” u projektua nga arkitekti i shkollës së Çikagos, Daniel Burnham në stilin e Beaux-Arts, si shumë ndërtesa të Nju Jorkut, si Stacioni i madh Grand Central. rsi-eb

blank

Chollet uron Kurtin për marrëveshjen e arritur në Ohër

Këshilltari i DASH-it, Derek Chollet, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

RFE/RL

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë – gjatë një bisede telefonike të enjten.

Kështu thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. Ata “folën për takimin e nivelit të lartë politik” mes Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe ky urim vjen “pas negociatave të gjata dhe të vështira”.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit, apo që njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Ndërkaq, më 18 mars, palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, e konsiderojnë atë obligative.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Më herët gjatë ditës, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë.

Edhe përfaqesuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se do ta monitorojnë “me kujdes se kush e zbaton marrëveshjen e kush jo”.

Shumë shtete të BE-së e kanë mirpritur marrëveshjen e arritur në Ohër, dhe kanë kërkuar që fokusi tani të drejtohet kah implementimi.

Burimet diplomatike në Bruksel kënë thënë se disa shtete kanë ftuar që të ketë “kujdes të shtuar“ nga ana e BE-së në mënyrë që të sigurohet zbatimi i plotë i të gjitha pikave të marrëveshjes dhe që të mos lejohet devijimi nga obligimet për asnjërën palë.

blank

Republikanët akuzojnë Sorosin lidhur me hetimet ndaj zotit Trump

VOA/Marrë nga Associated Press

Ndërsa ish-Presidenti Donald Trump përballet me mundësinë e ngritjes së akuzave penale ndaj tij lidhur me pagesat në emër të tij për të blerë heshtjen e një aktoreje filmash pornografikë gjatë fushatës së vitit 2016, republikanët thonë se rasti ka motive politike duke fajësuar si shpesh herë, George Sorosin.

Investitori dhe filantropi miliarder 92-vjeçar, i cili është akuzuar në mënyrë të rreme për gjithçka, duke filluar që nga pagesa e protestuesve të dhunshëm deri tek krimet zgjedhore, nuk e njeh dhe nuk i ka dhuruar drejtpërdrejt para prokurorit të Nju Jorkut që po drejton hetimin. Por kjo nuk e ka penguar zotin Trump dhe republikanët e tjerë që ta akuzojnë Prokurorin e Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, se po vepron në emër të zotit Soros.

Të hënën zoti Trump përdori platformën e tij Truth Social për të ngritur pretendimin e pavërtetë se zoti Bragg kishte marrë më shumë se një milion dollarë nga Soros. Senatori i Ohajos, J.D. Vance, shkroi në Twitter se prokurori ishte “blerë nga George Soros”. Guvernatori i Floridës Ron DeSantis e quajti rastin një cirk të prodhuar nga një prokuror i financuar nga Soros.

Ekspertët thonë se pretendimet shfrytëzojnë një zonë gri të mbledhjes së fondeve për fushata, ku mund të jenë të paqarta lidhjet e dobëta midis donatorëve dhe kandidatëve që përfundimisht marrin fondet.

Për zotin Soros, i cili është hungarezo-amerikan dhe hebre, po ashtu qarkullojnë teori konspiracioni se ai orkestron ngjarjet botërore.

Pretendimet e gabuara për lidhjet e zotit Soros me çështjen e zotit Trump e kanë zanafillën tek një donacion që filantropisti bëri në vitin 2021. Zoti Soros dhuroi 1 milion dollarë për organizatën “Color of Change” një grup politik që zhvilloi një fushatë të pavarur financiare për të mbështetur zgjedhjen e zotit Bragg në postin e prokurorit.

Zëdhënësi i zotit Soros, Michael Vachon konfirmoi se kontributi i donatorit nuk ishte i përcaktuar për t’u përdorur për zotin Bragg. Zoti Soros nuk i dhuroi drejtpërdrejt fushatës së kandidati Bragg dhe ata nuk janë takuar kurrë personalisht, nuk kanë folur në telefon apo virtualisht, tha zëdhënësi Vachon.

Kontributi për organizatën “Color of Change” e cila i tha Associated Press se mbështet prokurorët që kërkojnë të ndryshojnë sistemin e drejtësisë penale, është në vazhdën e donacioneve të zotit Soros, i cili ka bërë kontribute të shumta në mbështetje të prokurorëve reformatorë në mbarë vendin që nga viti 2015, tha zëdhënësi Vachon.

Zoti Soros shkroi në vitin 2022 se ai i mbështet këta kandidatë sepse ata investojnë në ndryshimet që ai mbështet, përfshirë programet e shëndetit mendor dhe trajtimin e varësisë nga droga si sëmundje në vend të krimit. Personalisht dhe përmes një organizate tjetër, zoti Soros dhuroi rreth 4 milionë dollarë për organizatën “Color of Change” midis viteve 2016 dhe 2022, tha zëdhënësi Vachon.

Megjithatë, republikanët dhe komentuesit në mediat sociale po shfytëzojnë donacionet e vitit 2021 për lidhur zotin Soros me akuzat e mundshme që mund të ngrihen ndaj zotit Trump. Disa postime të shpërndara gjerësisht pretendojnë në mënyrë të rreme se zoti Soros ka dhuruar drejtpëdrejt në fushatën e zotit Bragg ose ka nxitur personalisht hetimin.

“Në situata të tilla, kur një donator jep fonde pa përcaktuar qëllimin e përdorimit nga ana e organizatës, të cilën nuk e kontrollon, nuk ka një lidhje mes kontrubuesit dhe përfituesit që ka zgjedhur të mbështesë kjo organizatë”, thotë Jerry Goldfeder, ekspert financash në Nju Jork.

“Por edhe pse nuk është e saktë të thuhet se zoti Soros kontribuoi drejpërdrejt në përpjekjet për zgjedhjen e zotit Bragg, është e saktë të thuhet se entitete të lidhur me zotin Soros investuan një shumë domethënëse për zgjedhjen e prokurorit”, thotë Hank Sheinkopf, këshilltar politik në Nju Jork.

Sipas të dhënave publike, djali dhe bashkëshortja e djalit të zotit Soros, Jonathan Soros dhe Jennifer Allan Soros kontribuan në mënyrë të drejpërdrejtë për fushatën e zotit Bragg.

Zoti Soros ka dhënë miliarda dollarë për të përkrahur liberalizmin dhe për të luftuar autoritarizmin në të gjithë botën dhe si rezultat, për republikanët prej një kohe të gjatë e kanë vënë atë në shënjestër.

Për vite me radhë, teoritë e pabaza konpirative, e kanë lidhur figurën e tij me protestat e dhunshme apo ndërhyrjet në proceset zgjedhore.

Po ashtu ai është akuzuar në mënyrë të padrejtë se ka lidhje familjare me figura politike duke filluar nga guvernatorja e Miçiganit,Gretchen Whitmer deri te presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

“Ne duhet të kuptojmë se kjo nuk ka të bëjë fare me zotin Soros”, thotë profesori Jonathan Sarna. “Kjo ka të bëjë me një pikëpamje shumë të vjetër, antisemite se pavarësisht se hebrenjtë janë të paktë në numër, ata kontrollojnë gjithçka. Ideja që pas çdo ngjarjeje fshihet një hebre.”

Përhapja e narrativave të tilla është e lidhur me pasoja në botën reale. Në vitin 2018, një person nga Florida përmendi dhjetra herë në mediat sociale zotin Soros përpara se të dërgonte zarfa me lëndë plasëse tek redaksitë e lajmeve, figurat krysore demokrate dhe vetë zotin Soros.

“Ajo që është zhgënjyese për shumë hebrenj amerikanë është se vërtet besonin se ishin lënë pas idetë klishe anti-semite ,” tha zoti Sarna. “Dhe tani këto ide janë kthyer.”

Ndërsa zoti Trump priste ngritjen e mundshme të akuzave të mërkuarën, përmes një email-i drejtuar mbështetësve, ai vazhdoi të nxiste retorikën kundër zotit Soros. Ai ka mohuar çdo shkelje lidhur me rastin e një pagese prej 130,000 dollarësh, për ish aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels, për të blerë heshtjen e saj.


Send this to a friend