Florim, miku im, të ndoqa në kumtesën tënde, në atë ballafaqimin e demarkacionit. Ndodhesha në argumentet e tua, të cilat i kisha ndjekur edhe gjatë një forumi të organizuar në Shqipëri.
M’u krijua një përshtypje e dhimbshme, të cilën ashtu siç mund ta krahasonit edhe ju, unë po përdor terma gjeohartografike.
Pashë njerëz të shtypur mes koordinatash në një sistem hapësinor që nuk ngjante aspak me trojet tona. Udhëheqësia nuk ishte jona, as politikanët e tjerë, as një pjesë e studiuesve, por ishte një skenë e rregulluar e një shfaqjeje nga regjisorë të huaj.
U përdorën terma të shumtë, sisteme të ndërthurura, u kalua larg, në kontinente, në universitete, në zyra përmbarimore, në hipoteka të socializmit vetadministrues, në gjykata kushtetuese, në qiej të nxirë, në kushtetutë të 74-ës, te Rankoviçi dhe Gjilasi, tek Elipsoidi i Referimit, te kadastri i shejtanit… mirëpo asgjë për gjeohapësirën e pushtuar, realisht të dhunuar, Ujërrjedhën juglindore të Bjeshkës së Nëmun.
Një sistem koordinativ që s’e kap dot, ku abshisat dhe ordinatat luajnë para syve dhe ashtu të përvjedhur, iknin tek askundi.
Por, ama, Dheun e kanë vjedhur, e kanë shitur, e ai sikur të mos ndodhej në hapësirën e Republikës së Kosovës, po dikund në një vend të paeksploruar. Sa tragjike ajo ditë e përballjes së turpshme! Kosova nuk ishte Kosovë! Ajo ishte një krijesë e vendimeve gjeopolitike e gjeostrategjike të botës që, përmjet gjymtyrëve tona, luante me koordinata, të cilat ishin vënë si kusht që ne të dilnim nga vatha e Bjeshkës për t’u futur në Europë.
E kishin bërë me një mirëkuptim të heshtur e të butë, duke përdorur terma të topografisë edhe të gjeodezisë, të Hipotekës dhe të kadastrit, futur në një shkencë të madhe… të larguar nga njeriu i Bjeshkës dhe Dheut, të cilin e ka pushtuar marrëveshja e demarkacionit.
Dy statujat e ftohta të Qeverisë dhe Presidencës rrinin të ngurosura dhe flisnin për metra katrorë dhe herë milimetra katrorë. Ku? Si? Ata ishin si Krushqit e Ngrirë, Thaçi dhe Mustafa, pothuajse gojëkyçur dhe syverbuar, ngulur orientimin në paorientim, ata ishin futur në trapezë koordinative të kadastrit të paqenë, që s’dihej se ku ishte, ata lundronin në sipërfaqen e Kosovës që s’kish ndryshuar asnjë milimetër katror, ata s’dëgjonin jehonën e historisë (bënin sikur s’e dëgjonin…!), as pushtimet dhe luftën që ish bërë në atë sakrificë të madhe njerëzore në fundin e shekullit që shkoi.
Po ashtu, ua ngulnin sytë parcelave që s’thoshin asnjë emër, që s’përfaqësonin asnjë njësi gjeografike, as fshat e as toponim, s’përmendej, as largësi dhe lartësi, as morfologji, as kurrize malore e as ujërrjedhje, as jetë njerëzore që janë lindur e rritur aty… Edhe Pakos “Ahtisari” iu shmangën mjeshtërisht…
Mirëpo, Pakoja “Ahtisari”, si Kutia e Pandorës, që sapo goja e Mustafës e përmendte, me atë qetësinë e tij të pazbërthyeshme… (dhe ja kryetari e hapi këtë kuti ‹pakon “Ahtisari”›) dhe në brendësinë e mistershme, na dolën tërë ligësitë që i ishin bërë Kosovës nën regjimin jugosllav, se aty ishin shkruar kufijtë e cunguar e të vjedhur të Kosovës së mbetur, e që të gjithë vinin si mallkim dhe fatkeqësi.
Kryetari i Komisionit e zbuloi atë kuti, mbi parcelat e kadastrit, po që nuk dihej se për cilën tribu bëhej fjalë. Të gjithë shihnin hartat, por nuk qartësohej asnjë emërtim qendre të banuar (Haxhaj… p.sh., Kuqishtë… p.sh., apo Lumbardh…, ku janë, në cilin pyll, në cilin, asnjë largësi…) nuk thuhej asgjë se si janë bashkuar parcelat vijëndarëse, që përfytyrojnë kufijtë fundorë të asaj vije demarkacioni, që s’mund të lidhej tjetërsoj, veçse me konturet e parcelave pyjore, livadhore apo kullosore, të qytetarëve malazias, apo kosovarë…
Vija e kufirit nuk dihej se ku ishte e për të nuk flitej …ajo vetëm lundronte në vendin e vet… që s’ishte e tillë …mjafton që të përzihej me shkencë dhe terma teknikë hartografikë, për t’u fshehur, për t’u moskuptuar, nëpërmjet kësaj fshehjeje kadastrale që po i bëhej Dheut të Bjeshkës së Vjedhur.
Prandaj, të dy udhëheqësit e Kosovës ishin të ngurosur dhe shfaqja do të qe e tillë: e ngurosur… e përgatitur me shumë kujdes, për një kufi që ata të dy e dinë se ku është… me përshkrim dhe me koordinata, me gjeohistori që ata të dy e njohin, mirëpo ata i kanë mendjet dhe duart e lidhura nga ndërkombëtarët, nga ajo Pakoja “Ahtisari” (Kutia e Pandorës) për interesat e pambaruara sllave dhe ardhja e kryeuljes sonë.
Ajo ditë ka qenë fatzezë për Kosovën… në një shfaqje ku ish argumentuar me artin hartografik kadastral të përmbysur, jepej një certifikatë vdekjeje dhe kjo certifikatë duhej të merrej e të kuptohej si një lindje shënjimi, të kufirit të Kosovës së Re që është edhe Kosova e Prerë.
Florim, miku im, ne vijmë nga bota e hartografisë dhe gjeografisë, nga bota e modelimeve hapësinore dhe ato të sistemeve gjeografike të pozicionimit, ndaj nuk përkojmë me çudinë e aktorëve të asaj shfaqjeje të turpshme, ku u flitej qytetarëve të Kosovës se si projektohet sipërfaqja në rrafsh apo në Elipsoid (!!!) (Njerëzit hapnin sytë se si asaj dite të kadastrit të pushtimit kosovar, i këndohej mbi krye gjuha e shejtanit gjeografik.)
Komedianët, s’e zunë në gojë Qafën e Shkodranit, as Lumëbardhin, as Qafën e Çakorrit historik dhe as Kullën. Ata nuk e nganë Belluhën, as Zhlebin, as varret, as Kullërojet. Ata nuk e thanë se ku i ka kufijtë gjeografikë Bjeshka e Namun… se ata ishin në komedi dhe në karnavale dhe kishin vënë maska.
Kjo ishte loja e turpit në mallkimin e ri që ia bënë Bjeshkës së vjedhur. Hartat topografike të publikuara në kohën e shtypjes dhe të pushtimit në vitet 1948, 1958, 1962 që ju i përdorët me kujdes dhe shpjegimet përkatëse me përkim me gjeografinë, nuk janë aksidente hartografike, por gjurmë dokumentare …të hartuara nga ish-Jugosllavia. Bashkësitë njerëzore dhe ato të politikës së sotme e dëshmojnë historinë, gjithashtu. Harta është portret, është fytyrë e dheut. Por, fatkeqësisht, ajo ditë e ballafaqimit e demarkacionit u shndërrua në një absurd, që Kosova po e pranonte, sa për të gënjyer veten…
Ndërkaq shënjohej kufiri antikombëtar, më keq sa pushtimi nga ushtri agresive, ku një pjesë e bashkisë sonë gjeohartografike zbulonte dhe orientonte këtë pushtim. Vetëm vonë vinte një zë nga Bjeshka, një malësor rrëfente në një intervistë se sa afër u kish ardhur kufiri (rreth 100 metra). Ndërkaq, atypari, ti i pate thënë auditorit të shtrembër se, nga Qafa e Çakorrit deri në afërsi të Kuqishtës ishin 4087 metra largësi e pushtuar.
Në 12 orë, të gjithë kishin bërë inkursion imagjinar me kadastrin dhe hartat pa emërtime, të Komisionit.
U duhej shfaqja, dhe ajo u dha. Kush ishte rezultati? Formalisht! Ata sërish e vodhën edhe këtë ballafaqim, për ta përdorur si tejdukshmëri të marrjes së mendimit shkencor të ekspertëve, dhe të nesërmen shpallën aktin qeveritar të pararatifikimit antikombëtar. Florim, miku im, si gjeograf, ti e ndien edhe më shumë pas asaj dite, se ku dhemb koordinata e vërtetë e Kosovës së Mosvarme: vetvetja jonë e mbrapshtë.
A do ta kenë dëgjuar me kujdes kumtesën tënde deputetët e Parlamentit të Kosovës?
* Profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës
Komentet