VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Daniel Serwer: Kosova nuk është kërcënim për ekstremizmin

By | May 23, 2016

Komentet

CDU-CSU: Zgjedhjet pa opozitën janë problematike, opsion mbetet shtyrja

Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial (CDU/CSU) përmes një deklarate ekskluzive për Deutsche Welle-n shpreh shqetësimin për gjendjen në Shqipëri.

Ndër të tjera sugjerohet shtyrja e datës së zgjedhjeve.

Në një deklaratë të përbashkët, dy deputetët, Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, si dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal, shprehin shqetësimin e tyre për krizën e brendshme politike në Shqipëri dhe për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen pa opozitën.

Deklarata e Plotë:

“Po e vëzhgojmë me shqetësim të madh krizën e brendshme në Shqipëri. Për të ardhmen evropiane të Shqipërisë nevojitet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Për këtë, të dyja palët duhet të afrohen me njëra-tjetrën dhe të jenë të gatshme për kompromise.

Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve. Ne bëjmë thirrje që protesta të jetë paqësore. Aktet e dhunës i dënojmë thellësisht. Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës.

Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë.

Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje.

Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik.”

Eksportet – Kosova në vendin e dytë për mallrat e Shqipërisë

Për të tretin muaj rradhazi, Kosova ka mbajtur vendin e dytë në listën e partnerëve kryesorë tregtarë të Shqipërisë, sa i përket eksporteve.

Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, rezulton se Kosova është në vend të dytë pas Italisë në listën e vendeve ku Shqipëria eksporton më shumë.

Kthesa ka nisur në muajin janar të këtij viti, e ndikuar nga dy faktorë. Faktori i parë është taksa 100 % për produktet serbe që ka vendosur Kosova vitin e kaluar duke favorizuar kështu produktet që vijnë/kalojnë nga Shqipëria, si dhe fakti që eksportet e mineraleve nuk po orientohen më nga Spanja.

Këtë vit, niveli i eksporteve të Shqipërisë drejt Kosovës arriti në 8.9 miliardë lekë, në një kohë që drejt Spanjës eksportet ishin në nivelin e 5.9 miliardë lekëve. Një vit më parë, raportet ishin të përmbysura. Drejt Kosovës u eksportuan 5.8 miliardë lekë mallra ndërsa drejt Spanjës u eksportuan 8 miliardë lekë.

Por çfarë po eksporton Shqipëria në Kosovë?

Referuar të dhënave të INSTAT, rezulton se Shqipëria në prillin e këtij viti ka eksportuar më shumë “ushqime, pije e duhan”, “minerale e lëndë djegëse”, “produkte kimike e plastike” si dhe “materiale ndërtimi e metale”.

Në grupin e mallrave “ushqim, pije e duhan” rezulton se Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës 266 milion lekë më shumë gjatë këtij viti, “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” 1.7 miliard lekë më shumë, “produkte kimike dhe plastike” 208 milion lekë më shumë si dhe “materiale ndërtimi dhe metale” 624 milion lekë më shumë.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri Gjykata e Lartë mbetet me dy anëtarë

Në Shqipëri, Gjykata e Lartë rrezikon të mos kryejë më as funksionet më minimale, pasi që prej ditës së sotme ajo ka mbetur vetëm me dy gjyqtarë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi shkarkimin nga detyra të anëtarit të kësaj gjykate, Edmond Ismailaj, i cili në qershorin e vitit të shkuar kishte kaluar me sukses, filtrin e parë të procesit të verifikimit. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) nuk kishte gjetur asnjë problem në të tri shtyllat e procesit, si atë që lidhej me pasurinë, ashtu dhe me integritetin e tij moral dhe përgatitjen profesionale.

Por pak javë më vonë Komisioneri Publik vendosi të ankimojë vendimin e KPK-së për Islamajn. “Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit”, shpjegonte në korrik të vitit të kaluar Komisioneri Publik.

Problemet për anëtarin e Gjykatës së Lartë, sipas Komisionerit, lidheshin me pasurinë e tij. Për disa seanca me radhë Zoti Islamaj u mbrojt përpara KPA-së duke theksuar se të gjitha provat janë në linjë me vendimin e marrë më parë nga KPK-ja dhe se nuk bëhet fjalë për deklarime të rreme apo fshehje të pasurisë duke qenë se një pjesë e madhe e saj, është e trashëguar.

Por në vendimin e sotëm Kolegji i Posaçëm i Apelimit, trupa gjykuese tha se sipas saj gjyqtari nuk kishte mundur të provonte se disa pasuri të paluejtshme të bashkëshortes së tij (një apartament, një lokal dhe një garazh) kishin burime të ligjshme, sikundër dhe për vlerat në cash të deklaruara prej tij. Kolegji ishte i mendimit se deklarimi i gjyqtarit nuk ishte i saktë.

Gjykata e Lartë, sipas një ndryshimi ligjor të vitit 2013 duhet të ketë 19 anëtarë. Ligji e rriti me 5 numrin e gjykatësve të saj, por përplasjet politike mes shumicës dhe ish presidentit Nishani, bënë që anëtarët shtesë të mos zgjidheshin. Përpara nisjes së Vettingu-t, 5 nga gjykatësit e Lartë dhanë dorëheqjen, pasi kishin mbushur vitet e mandatit në detyrë, ndonëse ligji parashikon se ata mund të qëndrojnë deri në momentin e zëvendësimit.

Mes 9 anëtarëve të mbetur, vetëm 4 prej tyre i rezistuan Vettingut. Njëri prej tyre Mehdi Bici, u largua pasi u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Pas vendimit për gjyqtarin Islamaj, në Gjykatë mbetet vetëm kryetari i saj Xhezair Zaganjori, ndaj të cilit gjithashtu është një proces i hapur në KPA, dhe Ardian Dvorani. Disa dhjetra mijëra dosje janë grumbulluar ndërkohë, në pritje të shqyrtimit.

Haradinaj vizitë në Berlin, zbulohen data e takimit me Merkelin

KOSOVE

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në 5 dhe 6 qershor pritet të qëndrojë në një vizitë zyrtare në Gjermani ku do të zhvillojë një takim me kancelaren gjermane Angela Merkel. Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, e cila ka njoftuar se Haradinaj në fillim të qershorit do të udhëtojë drejt Berlinit në një vizitë dy ditore.

“Me ftesë të kreut të Bundestagut gjerman, kryeministri do të marr pjesë në Lutjet e Mëngjesit që organizohen atje. Pastaj do të ketë takime me deputetë të Bundestagut, si dhe më 6 qershor do të zhvillojë një takim pune me Kancelaren Merkel”, tha Gashi.

Sipas saj, axhenda e takimeve të kryeministrit Haradinaj në Berlin ende nuk është finalizuar. Zëdhënësja Gashi u shpreh e bindur se  tashmë që dihen  kërkesat e Haradinaj, do të mund të mbështeten te Gjermania.  Më herët Haradinaj ka thënë se gjatë Samitit të Berlinit në Gjermani i është premtuar liberalizimi i vizave, ndërsa ka pohuar se si kohë opsionale muajin shtator .

Jahjaga pozicionohet kundër ideve të Thaçit, Ramës e Vuçiqit: I rrezikshëm ripërcaktimi i kufijve

Për herë të parë, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka folur për idenë e shkëmbit të territoreve. Jahjaga nga Tirana ka thënë haptazi se kjo ide është e rrezikshme, duke u pozicionuar kundër idesë së presidentit Hashim Thaci, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, e presidentit serb, Aleksandër Vuciq, raporton Gazeta Express

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nga Tirana tha se ripërcaktimi i kufijve është një retorikë e rrezikshme.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar për “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, Jahjaga tha se diskutimet për korrigjimin e kufijve është një temë shumë e ndjeshme, që nënkupton kthimin në të kaluarën.

“Rajoni jonë është ekspozuar ndaj një retorike të rrezikshme rreth ripërcaktimit të kufijve. Një temë që është tejet e ndjeshme dhe ky diskutim nënkupton kthimin tonë në të kaluarën të shënuar me periudha të dhunshme të vuajtjes dhe të përçarjeve”, deklaroi ajo.

Atifete Jahjaga ngriti edhe shqetësimin e ndikimit rus në rajon, nëpërmjet aleatit të saj, Serbisë.

“Rusia, në një sistem vlerash të kundërta nga ato të BE vazhdon të ketë influencë të madhe në Ballkan, sidomos përmes aleatit të saj në rajon, Serbisë. Rusia vazhdon të ushtrojë ndikim të madh në rajonin tonë, sidomos në vende si Serbia duke përdorur mjete ekonomike, politike e kulturore. Edhe përmes nxitjes së sedimenteve nacionaliste. Qëllimi i tyre është i njohur, zvogëlimi i BE dhe NATO-s në Ballkan si forca për promovimin e vlerave demokratike”, tha ajo.

Media, gazetarët të ekspozuar përballë informalitetit në punë

Mimoza Picari

Një prej shqetësimeve kryesore në rradhët e gazetarëve në Shqipëri mbeten kushtet e punës. Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, Unioni i Gazetarëve por dhe vetë gazetarët raportojnë probleme që lidhen më së shumti me mungesën e kontratës së punës, pagesat në bankë dhe kesh më qëllim shmangien e detyrimeve fiskale nga pronarët si dhe vonesat në pagesa. Institucionet përgjegjëse për kontrollet si Inspektoriati i Punës apo Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raportojnë kontrolle dhe konstatime të këtyre problemeve, por në një masë shumë më të ulët nga ato që raportojnë organizatat jo qeveritare. Disa institucione po bëjnë përpjekje të gjejnë mundësi ligjore të reja për t’u ardhur në ndihmë gazetarëve.

Gazetarët në Shqipëri punojnë në një situatë që vlerësohet mjaft problematike nga vetë ata, nga shoqatat e gazetarëve, por dhe institucionet shtetërore që kryejnë inspektime në lidhje me respektimin e kodit të punës. Në Shqipëri ushtrojnë profesionin e gazetarit 3200 persona nga 6200 punonjës që ka në tërësinë e vet i gjithë spektri mediatiak, duke përfshirë televzionet radiot, mediat on line, mediat print, apo ato periodike, paltformat dixhitale dhe ato kabllore.

Një sondazh i publikuar në fillim të muajit maj nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi me 800 gazetarë, vë në dukje se rreth 17 përqind e të anketuarvedeklarojnë se nuk kanë një kontratë pune. Dhe duke përfshirë dhe të punësuarit në mediat jashtë Tiranës shifra shkon në 31 përqind. Sondazhi evidenton se afro 9 përqind kanë vonesa në marrjen e pagës madje dhe disa mujore.

Një prej shqetësimeve të thella që ka shoqëruar gazetarët ndër vite është puna në të zezë. Sipas sondazhit të IDRA, rreth 61 përqind e të anketuarve pranojnë se kanë punuar në të zezë të paktën njëherë në jetën e tyre. Shumica e gazetarëve të nivelit të lartë pohojnë se në fillim të karrierës së tyre ata kanë punuar në tregun informal.

“Në këtë katrahurë që nga viti 1990 e deri sot, faji është i shtetit nuk është i yni. Na janë mohuar sigurimet shoqërore. I kemi derdhur, na janë mbajtur dhe kur shkojmë i verifikojmë, na del që ata nuk i kanë derdhur. 10 vite punë më mungojnë”- thotë Xhovani Shyti, gazetar dhe sekretar i përgjithshëm i Unionit të Gazetarëve Shqiptar.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i krijuar 13 vjet më parë e ka denoncuar publikisht këtë skandal, pas falimentimit të një televizioni. Pronarët i kishin mbajtur kontributet por nuk i kishin derdhur ato në thesarin e Inistitutit të sigurimeve shoqërore.

“Ky skandal nga informacioni paraprak që ne kemi si Union i gazetarëve mund të jetë shumë herë më i madh. Kjo do të thotë se shumë prej mediave, përfshi dhe media kombëtare, kontributet e mbajtura ndër vite për punonjësit dhe sidomos gazetarët, nuk i kanë derdhur në thesarin e Institutit të Sigurimeve. Për këtë ne kërkojmë transparencë, sepse siç e dimë çdo e dhënë për individët e punësuar është e mbrojtur nga ligji për të dhënat personale”– shprehet Aleksandër Çipa, Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptar.

Unioni i gazetarëve ka marrë disa nisma edhe për hartimin e kontratës kolektive, e cila pati sukses dhe u aplikua në masën 75 përqind deri në vitin 2013, duke ulur ndjeshëm informalitetin në media. Pas vitit 2013 Unioni raporton se situata është përkeqësuar sërish. E ndërsa IDRA thotë sipas sondazhit se 17 përqind e gazetarëve nuk kishin kontratë pune, Inspekatoriati i punës raporton shifra shumë herë më të ulëta, pas inspektimit të kryer në fund të vitit 2018.

“Kemi bërë 204 inspektime në 88 subjekte që zhvillojnë aktivitetin ekonomik në këtë sektor. 3004 punonjës kanë qënë pjesë e punonjësve të evidentuar. 37 punonjës janë evidentuar pa kontrata pune, ose 1.2 përqind e totalit. Gjendja që ne konstatojmë është ajo me letra zyrtare që ne marrin pranë subjekteve. Prandaj them që ne na ndihmon shumë denoncimi që bëjnë punonjësit. Informaliteti gri në media është shumë i madh por e kemi të pamundur, unë them prap që pa ndidhmën tuaj nuk mund të shkojmë atje ku duhet”– u shpreh Arben Seferi Drejtor i Inspektoriatit shtetërortë Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

Një prej shqetësimeve masive mes gazetarëve lidhet me sigurimet bazuar në pagë minimale dhe jo mbi pagën e vërtetë. Sondazhi i IDRA që u publikua në ditën ndërekombëtare të lirisë së medias vë në dukje se 74 përqind e gazetarëvee marrin pagën të plotë në bankë. Ndërkohë që 1 në 10 të anketuar thanë se e marrin pagën e tyre në dorë dhe 1 në 7 marrin vetëm një pjesë me para në dorë.

“Organet kompetente nuk duhet thjesht të mjaftohen me ato që raportojnë pronarët. Ai nëse derdh 240 mijë të vjetra në bankë është në rregull më ligjin. Pjesën tjetër ta jep kesh. Këta thonë që ti e ke pranuar atë. Unë jam dakort. E kam pranuar. Por ka patur një interes më të madh se sa kjo marrëveshja e momentit. Ka qenë familja”– pohon Xhovani Shyti gazetar.

“Gjatë vitit 2018 ka paturn një inisiativë me mbështetjen edhe tëkomisionit të medias në Kuvend, por edhe me disa institucione të tjera që janë faktor kryesor të kësaj fushe si me Inspektoriatin Shtetëror të punës, apo më drejtorinë e sigurimeve dhe të tatimeve për të bashkuar sinergjitë dhe për të gjetur zgjidhjet për mbrojtje ligjore gazetarëve”- thotë Urim Bajrami, Këshilli i ankesave në AMA.

Drejtoria e përgjithshme e tatimeve i tha Zërit të Amerikës se administrata e këtij institucioni kryen kontrolle sipas indicieve të riskut. Në fushën e medias disa prej këtyre indicieve lidhen me:

1-Mosdeklarimin e pagës reale të punonjësve krahasuar me mesataren e profesionit.

2-Rënie të pagesës së TVSH krahasuar më vitin paraardhës.

3-Qarkullim i lartë, pagesë e ulët e TVSH.

4-Humbje të vazhdueshme të fitimit.

5- Prirje për të barazuar blerjet dhe shitjet.

Po ashtu flitet edhe për disa komponentë të tjerë që kanë nxitur kontrollet. Nga 1285 tatimpagues të kasaj fushe sipas informacionit zyrtar, gjatë 4 vitevejanë ushtruar kontrolle në 11 deri ne 15 përqind të tyre çdo vit. Janë vendosur penalitete për kontributet shoqërore, tatim fitimin dhe TVSH.

Arkëtimet janë kryer në masën 90 përqind dhe pjesa tjeter po ndjek rrugën gjyqësore. Unioni i gazetarëve thotë se kontrollet duhet të jenë periodike dhe jo selektive. Por jo rrallë herë këto kontrolle interpretohen nga subjeket mediatike si sulme ndaj lirisë së fjalës që pasohen me presion mbi insitucionet.

“Për hir të së vërtetës ne kemi patur dhe situata të tilla. I është bërë e ditur subjektit që nuk është qëllimi në vetvete që ne të penalizojmë median, por është për të rregulluar një marrëdhënie punëdhënës-punëmarrës që bën pjesë tek ajo media. Se mund ta marrin sikur kemi diçka personale, ndërkohë që s’ka asgjë personale. Nuk kemi ne asgjë personale me asnjë subjekt”- shprehet Arben Seferi Drejtor i Inspektoriatit shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

“Këtu abuzohet me lirinë e medias. Se çfarë lidhje ka liria e medias me kontrollin për anën financiare, unë nuk e kam kuptuar dhe nuk do ta kuptoj kurrë. Vjen grupi i tatimorëve dheinstancave të tjera dhe tërhiqet sepse këta fillojnë dhe bëjnë zhurmë duke thënë se po dhunohet liria e medias. Ç’lidhje ka liria e medias me mospagesën e sigurimeve. Po tani liria e medias do ma japë mua pensionin?” – thotë Xhovani Shyti gazetar.

Spektri mediatik në Shqipëri është pasqyrë e krejt jetës ekonomike dhe shoqërore që gjithashtu vuan nga të njëjtat probleme ku më i rëndi është ai i informalitetit. Media nuk bën përjashtim, edhe pse në shumicën e rasteve godet disa probleme në sektorë të tjerë, prej të cilave vuan edhe ajo vetë.

U nda nga jeta përkthyesi i shquar i poezisë shqipe në gjermanisht Hans-Joachim Lanksch

VOAL – Bëhet e ditur se u u nda nga jeta përkthyesi i shquar i poezisë shqipe në gjermanisht Hans-Joachim Lanksch.

Lajmin e bëri të ditur profesor Bardhyl Demiraj, i cili ka drejtuar me vite katedrën e Albanologjisë në München. Në kryeqytetin e landit të Bavarisë Lanksch u njoftua me profesorin e albanologjisë dhe poetin Martin Camaj, përmes të cilit zbuloi një dashuri të pashuar për gjuhën shqipe dhe sidomos për dialektin gegë. Ishte ndër mbrojtësit më këmbëngulës të këtij dialekti në debatet ndërshqiptare për gjuhën shqipe.

Hans-Joachim Lanksch, u lind më 1943 në Braunschweig të Gjermanisë veriore. Studioi sllavistikë, ballkanologji, albanologji dhe etnologji në Munih dhe Zagreb. Jetoi në Munih dhe punoi si përkthyes. Sa i përket letërsisë, Joachim Lanksch, kryesisht përktheu poezi moderne nga gjuha shqipe në gjuhën gjermane.
Më 1992 mori Çmimin “Literaturstipendium” të qytetit Munih, më 1999 Çmimin “Nikolaus Lenau”, më 2002 Çmimin kombëtar ”Penda e Argjendtë” dhe më 2018 Çmimin „Azem Shkreli“ .

Njohja me poezinë e Martin Camajt ndikoi tek Hans-Joachim Lanksch që t’i kushtohej përkthimit të saj dhe më vonë të shumë autorëve të poezisë shqipe.

Ashton: Si u morën vesh Thaçi e Daçiq për Asociacionin – pse u mbajt sekret fotografia e dy liderëve

Baronesha Catherine Ashton ka dhënë hollësi për bisedimet Kosovë –Serbi gjatë vitit 2013 kur dy palët ishin marrë vesh për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe heqjen e strukturave paralele në Veri.

BBC rikujton se para 6 vjetësh Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar marrëveshjen e Brukselit me të cilën ishin marrë besh për themelimin e Bashkësisë së Komunave së Komunave me shumicë serbe por që nuk është themeluar asnjëherë.

Ashton ka folur edhe për historinë e fotografisë së Thacit dhe Dacic e cila për një natë ishte mbajtur sekret pasi Thaci dhe Dacic nuk ishin të gatshëm t’ia tregonin publikut.

Ashton ka rrëfyer se fotografia ishte bërë nga fotografi I BE’së duke theksuar se ata ishin dakorduar që ajo të publikohet një ditë më pas.

“Ditën tjetër mora vesh se dy palët janë të gatshme që fotografia të lëshohet. Ende e ruaj secilën fotografi nga ajo kohë” ka shpejguar ish –përfaqësuesja e lartë e BE’së.

Sipas saj roli i bashkësisë ndërkombëtare është vendimtar për përmirësimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, thotë ish-shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Ajo shton se shpreson së shpejti të arrihet një marrëveshje midis dy palëve.

“Mbështetja ndërkombëtare, veçanërisht nga Evropa, është e rëndësishme në mënyrë që të dyja palët të fitojnë besimin dhe të lëvizin përpara. Arritja e marrëveshjes është vetëm fillimi. Zbatimi dhe ekzekutimi i vendimeve kërkojnë burime, dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë”, ka thënë Ashton në një intervistë për BBC në gjuhën serbe.

Ashton, e cila ishte kreu i parë i diplomacisë evropiane që ka arritur të sjellë në tavolinë zyrtarët nga Prishtina dhe Beogradi, dhe që doli në fotografinë e parë në histori së bashku me zyrtarët e të dyja shteteve, tha se shpreson që së shpejti do të shohin një foto të udhëheqësve të të dyja palëve – pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare.

“Shpresoj se së shpejti do ta shohim. Mendoj se (në foto) do të jenë udhëheqësit e të dy vendeve me komunitetin ndërkombëtar, udhëhequr nga Bashkimi Evropian, e cila do të japë mbështetjen e saj për çdo gjë që është arritur”, ka thënë Ashton.

Catherine Ashton, të cilën shumë e konsiderojnë meritore për nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, dhe ka folur për mënyrën se sa e vështirë ishin negociatat në atë kohë.

“Gjëja më e vështirë ishte kur besoni se keni arritur deri te marrëveshja, por kur kjo ka nevojë të nënshkruhet, në mënyrë që formalisht të dakordoheni dhe t’i njoftoni të gjithë për atë që keni bërë. Në këtë pikë, është e lehtë për të gjetur një arsye për të heqë dorë ose për të humbur nervat,” tha Ashton.

Ish-shefja e diplomacisë evropiane ka treguar se ish-kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq ishin shumë të nervozuar në lidhje me negociatat, por ishin të vendosur për të përfaqësuar në mënyrë efektive vendet e tyre.

Mbledhja e përbashkët e qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës nuk drejtohet nga Rama dhe Haradinaj

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të zhvillojnë sot një mbledhje të përbashkët.

Ky është takimi i dytë mes dy qeverive ku do të diskutohet lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në 26 nëntor 2018. T akimi i sotëm nuk do të jetë në nivel kryeministror, por do të drejtohet nga dy zv/kryeministrat, Erjon Braçe dhe Fatmir Limaj.

Ajo do të zhvillohet në orën 12:00 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Intervista për BBC, Lulzim Basha flet për protestat dhe shtyrjen e negociatave: Dhuna shenjë e zemërimit të popullit, por fatmirësisht nuk shkaktoi viktima

Kreu i selisë blu, Lulzim Basha, gjatë vizitës zyrtare në Londër ka dhënë një intervistë për “BBC World”, ndërsa ka folur lidhur me situatën aktuale në Shqipëri, vendimet e qeverisë dhe opozitës.

Basha është shprehur se e dënon dhunën por ka shtuar se dhuna në protetsat e zhvilluar së fundmi në vend, është shprehje e zemërimit të popullit.

 

“Absolutisht. PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar që, falë Zotit, nuk shkaktoi viktima – asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua – është shprehje e zemërimit në rritje”, ka thënë kreu i PD.

Ai ka renditur disa akuza kundrejt kryeministrit Edi Rama, ndërsa thekson se Shqipëria nuk mund të shkojë në BE me këtë situatë ku ndodhet vendit.

“Vende anëtare kanë dalë në përfundimin se progresi i Shqipërisë drejt përmbushjes së kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit është i pamjaftueshëm. Pyetja shtrohet: çfarë vjen pas kësaj? Problemi më i madh është sesi të kapërcehet kjo krizë e thellë, e cila tani po shpërthen me zemërim nëpër rrugë dhe sheshe”, është shprehur Basha.

Intervista e kreut të PD, Lulzim Basha për BBC

BBC WORLD: Gjatë 3 muajve të fundit në Shqipëri janë zhvilluar protesta antiqeveritare, me protestues që bëjnë thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ka patur edhe dhunë fundjavën e shkuar, ku mijëra protestues, që mbështesin PD në opozitë, dolën në rrugët e kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Zyrat e kryeministrit u goditën me bomba benzine, duke nxitur thirrjet për qetësi të disa vendeve të BE-së dhe SHBA. Në krye të këtyre protestave është lideri i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha, i cili ka shërbyer si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Brendshëm në qeveritë e mëparshme të drejtuara nga PD. Unë e nisa bisedën me të duke e pyetur, nëse e dënon dhunën e ndodhur.

LULZIM BASHA: Absolutisht. PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar që, falë Zotit, nuk shkaktoi viktima – asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua – është shprehje e zemërimit në rritje. Këto protesta janë pasojë e një krize që ka shpërthyer me të gjithë fuqinë gjatë 4 muajve të fundit: krizë kushtetuese, krizë politike dhe pasojat e saj ekonomike e sociale.

BBC WORLD: Çfarë duhet tē ndodhē me ata që janë përgjegjës për dhunën?

LULZIM BASHA: Siç e thashë, falë Zotit, asnjë polic i vetëm nuk u lëndua. Por numri 3 i PD-së u dhunua brutalisht dhe dhunshëm nga policia. Media ishte në gjendje ta filmonte këtë episod dhe ta transmetonte live. Në vend që këta policë të përballen me përgjegjësitë e tyre, sipas ligjit, ata janë marrë personalisht nën mbrojtje nga kryeminstri.

BBC WORLD: Qeveria i mohon akuzat tuaja, por nē njē kēndvēshtrim mē tē gjerē, ju keni qenë vetë në qeveri dhe tani jeni në opozitë. Ju e dini se akuzat për korrupsion bēhen sa nga njēra palē dhe nga pala tjetēr. Akuzat nga opozita, kushdo qoftë ajo, mohohen nga qeveria kushdo qoftë ajo. Kjo është pjesë e politikës në vendin tuaj, apo jo?

LULZIM BASHA: Ky nuk është rasti tani.

BBC WORLD: Pse është ndryshe tani?

LULZIM BASHA: Dy raste të hetimit nga prokurorēt antimafia kanë zbuluar mijëra orë përgjime, që tregojnë se kryeministri dhe zyrtarë të lartë të qeverisë bashkëpunojnë me bosët e krimit të organizuar për vjedhjen e zgjedhjeve të vtiit 2017. Disa nga këto përgjime janë publikuar nga Zëri i Amerikës dhe dy ditë më parë nga gazeta më e madhe gjermane Bild. Nuk ka absolutisht asnjë veprim në lidhje me këto akuza. Asnjë politikan nuk është thirrur për t’u marrë në pyetje dhe politikanët e përfshirë jo vetëm nuk janë ndëshkuar, por janë promovuar dhe janë mbrojtur nga kryeministri.

BBC WORLD: Ta shohim në një panoramë më të gjerë. Këtë qershor Shqipëria pret një përgjigje nga BE, nëse do të nisin negociatat për anëtarësim. Sa dēm mund t’i shkaktojē procesit e gjithē kjo?

LULZIM BASHA: Protestat janë pasojë e krizës së thellë politike në vend. Kēshtu qē, pavarësisht, raporteve të sheqerosura…

BBC WORLD: Çfarë do të thotë të sheqerosura ?

LULZIM BASHA: Shumë larg realitetit.

BBC WORLD: Për çfarë arsye?

LULZIM BASHA: Shqipëria duhet t’i bashkohet Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të hapë negociatat e anëtarësimit. Kjo është ajo për të cilën ne po luftojmë, për vlerat europiane, por Shqipëria nuk mund t’i bashkohet BE-së me gënjeshtra, me fabrikime, me zgjedhje të vjedhura, me bashkëpunim me krimin e organizuar, me korrupsionin në nivelet më të larta të këtyre 29 viteve, me pandëshkueshmërinë e njerëzve me pushtet.

BBC WORLD: Pra, çfarë duhet të thotë dhe tē bējē BE në takimin e qershorit sipas jush?

LULZIM BASHA: Mendoj se në kētë pikë gjërat janë shumë të qarta. Bashkimi Europian është ekstremisht i shqetësuar se realiteti në terren është shumë larg nga përshkrimet e burokratëve në Bruksel. Kjo duhet të jetë edhe një këmbanë alarmi për vetē institucionet e Bashkimit Europian, që t’i japin fund gjuhës së drunjtë se “shumë është bërë, por nevojitet dhe shumë për të bërë” dhe të përqëndrohen nē problemet e vērteta, me tē cilat pērballen vendi.

BBC WORLD: Por kjo muhd të çonte në një shtyrje të asaj çfarë planifikon BE. A nuk do të sillte shtyrja një dëm të madh për vendin?

LULZIM BASHA: Për fat të keq, shtyrja, pak a shumë është vendosur. Vende anëtare kanë dalë në përfundimin se progresi i Shqipërisë drejt përmbushjes së kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit është i pamjaftueshëm. Pyetja shtrohet: çfarë vjen pas kësaj? Problemi më i madh është sesi të kapërcehet kjo krizë e thellë, e cila tani po shpërthen me zemërim nëpër rrugë dhe sheshe.

Refleksione të së djelës: EUROVISION! Identiteti kombëtar shqiptar nuk asht TALLAVAJA! – Nga GJERGJ JOZEF KOLA

Teksti i kanges qe prezanton atdheun tem ne Eurovizion, (qe ne standart thuhet: EVROVIZION?) jo vetem nuk me prezanton porse asht shume fyes ndaj mejet.

Se pari une si shume shqiptare e kena gjete vedin ne perendim, na jane hape dyert e shkollave te nalta, kena botue libra, vue ne skene drama, organizojme koncerte dhe i rrijme lerg kultures se TALLAVASE qe ka mberthye atdheun. Shkurt e kjarte: Nese ka nji KRIZE IDENTITETI kjo krize gjendet vetem ne Shqipni, atje ku na ftojne autoret e kanges: KTHEJU TOKES!

Ky mesazh i formuluem ne stilin e rilindasve ishte jashte çdo kohe dhe hapesine, ne nji kohe qe po shofim me u integrue si komb ne Europe e ky kontinent asht edhe TOKA E JONE:

Natyrisht qe ikja e gati 1 milion shqiptareve ne keto 30 vjet pseudodemokraci monopartiake asht e trishtueshme per nji komb, porse IKJA qendron pikerisht ne perzanjen qe i kane ba dhe vazhdojne me i ba establishmenti postkomunist.

Ne perendim njeriu meson mbi te tana diçka thelbesore: THELBI KA RANDSI E JO DUKJA! Ne Shqipnine postsocialrealiste ndodhe e kunderta: Keshtu kanga qe prezantoi Shqipnine ne dukje ishte e pranueshme, zani i kangtares optimal, performimi modern, ndersa mesazhi ishte krejt jashte kohes e vendit… Ne vend qe te bahej thirrje diaspores te kthehet te atdheu qe po lengon perdite nen thundren e establishmentit e po kthehet ne nji FERME orvuelljane e ti jape Shqipnise dinjitetitin e IDENTITETIN perendimor, bahet nji thirrje krejt absurde dhe jashte cdo realiteti… kjo te kujton thirrjen 45 vjecare realsocialiste: Shqiperia nji fanar ne brigjet e Adriatikut…

Futja e tallavase edhe ne artin modern perban nji etape te re dekompozimi qe po kalon kultura shqiptare, ku sidomos ministrat e majte kane tash 30 vjet perpiqen ta mbushim me kufomen e vdekun te realsocializmit…

Protestat – Ambasada e SHBA paralajmëron qytetarët amerikanë: Shmangni grumbullimet e mëdha

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, lidhur me protestat e planifikuara të opozitës, i ka bërë thirrje shtetasve të saj që të kenë kujdes.

Në një reagim në faqen zyrtare, thuhet se demonstrata të përsëritura pritet të ndodhin në Shqipëri, ndërsa bëhet thirrje që të shmangen vendet ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdimësi.

 

Njoftimi i plotë:

Pikat që duhet të shmangen
Ndërtesa e Parlamentit (Tiranë)
Zyra e Kryeministrit (Tirana)
Ndërtesa të tjera qeveritare (Në të gjithë vendin)
Rrugët kryesore në të gjithë vendin
Demonstrata të përsëritura pritet të ndodhin në të gjithë Shqipërinë për një periudhë të pacaktuar kohore, me mundësinë që të bëhen të dhunshme. Datat e sakta dhe kohëzgjatja e këtyre demonstratave janë të panjohura. Demonstrimet e kohëve të fundit kanë përfshirë dhunën, disa demonstrues kanë përdorur pajisje shpërthyese dhe molotov.

Forcat e sigurisë janë përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Personeli i Ambasadës së SHBA-së ju drejtohet që të shmangni të gjitha pikat e grumbullimit dhe vendet ku demonstratat janë të pashmangshme ose të vazhdueshme.

Shmangni grumbullimet e mëdha dhe vendet ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdimësi.
Monitoroni mediat  për përditësime.
Jini të vëmendshëm për mjedisin që iu rrethon
Mbani një profil të ulët