VOAL

Please Wait ...
0%

CIA: Shehu humbi fuqinë në parti më 1953, Hoxha emëroi njerëzit më besnikë, ja si Haxhi Lleshi mori drejtimin e Presidiumit të Kuvendit

By | September 14, 2017

Komentet

Zbulohen letrat – Kur Skënderbeu iu përgjigjej kushteve të Sulltan Mehmetit – Nga Aurenc Bebja, Francë

 

letra

Në librin e autorit francez, Camille Paganel, me titullin « Histoire de Scanderbeg ou Turks et Chrétiens au XV siècle », të vitit 1855, gjejmë një letërkëmbim diplomatik ndërmjet sulltan Mehmetit dhe heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit.

Sulltani, në pamundësi të mposhtë « vëllain » e tij, ashtu siç i thur lajka në letër, i propozon disa kushte në këmbim të paqes.

 

Gjergj Kastrioti, me zgjuarsi dhe kurajo, duke mos dyshuar aspak në dinakërinë e Mehmetit, i kthen atij përgjigjen e merituar, madje duke e trajtuar atë si Princ dhe jo si Sulltan dhe Emir.

Letrat, të përkthyera më poshtë në gjuhën shqipe, gjenden në faqet 302 – 305 të librit, i shkruajtur në gjuhën frënge.

Letra e Sulltan Mehmetit, 6 maj 1461 :

« Unë, Sovrani i madh, Emiri i madh, Sulltan Mehmet Beu, i biri i Sovranit dhe Emirit të madh, Sulltan Murat Beu-t, për Skënderbeun, princin e Shqiptarëve dhe të Epiriotëve, përshëndetje.

I shtrenjtë Skënderbe, nuk njoh miqësi më të përzemërt se sa ajo e intimitetit (familjaritetit) të gjatë ; sidomos kur ajo lind që në rini, si në rastin tonë, atëherë kur ti mbaheshe peng tek babai im, dhe kur të dy jetonim bashkë vëllazërisht.

Kështu, kur mendoj për gëzimet e ëmbla të fëmijërisë sonë, kur kujtoj shkelqësinë e shërbimeve tuaja, gjithçka që ti ke bërë për lavdinë e Pallatit Osman, për madhështinë e Perandorisë sonë, të të pres dhe të dëshmoj këtë mirënjohje më duket një detyrë e domosdoshme.

Asgjë nuk mund të më sjellë më shumë kënaqësi, marr Zotin për dëshmitar, se sa të ritakoj më në fund, për të kaluar ca kohë në praninë tënde.

Nëse disa prej trupave të mia i kanë lejuar vetes të pushtojnë tokat tuaja duke shkaktuar përleshje, i abdikoj ato ; ato kanë vepruar pa urdhërin tim, dhe fitoret tuaja, ndëshkim i drejtë ndaj guximit të tyre, nuk më kanë inatosur.

Le ti harrojmë këto dhe të kthehemi në marrëdhëniet tona të vjetra, ku një bashkim i shenjtë dhe paqësor na pajton përgjithmonë.

Pra, ja se cilat mund të jenë bazat e aleancës sonë, po ti paraqes, duke e ditur fare mirë se nuk i përket aspak atij që kërkon paqen të vendosë kushtet.

Së pari, unë kërkoj lejekalim në tokat tuaja për trupat e mia, që të shkojnë për të luftuar venedikasit ; së dyti, që ti të më japësh si peng, Gjonin, djalin tënd, i cili do të trajtohet si djali im ; së treti dhe së fundmi, që popujt tanë të tregtojnë lirisht mes tyre.

Në qoftë se ti pranon, eja të më takosh në sigurinë më të plotë : pritja do të jetë dinjitoze e rangut tuaj. Po, mbi besën dhe fjalën e sovranit, do të mbaj besnikërisht me ty një paqe të pacënueshme ; tashmë vendi yt nuk do të shqetësohet as nga armët e mia as nga dikush tjetër.

Për më shumë, në qoftë se ke pyetje apo dyshime për të sqaruar, mund ti drejtohesh me besimin më të plotë, Mustafait, të dërguarit tim.

Letër e shkruar në qytetin tonë perandorak të Konstandinopojës, më 6 maj të vitit 1461, vit sipas lindjes së Jezu Krishtit. »

Letra e Gjergj Kastriotit, 1 Qershor 1461 :

 « Gjerjg Kastrioti, i thirrur Skënderbe, princ i Epiriotëve dhe i Shqiptarëve, ushtar i Jezu Krishtit, për Mehmetin, sovranin e Turqve, përshëndetje.

Princ i dalluar, ne e kemi marrë letrën ku dallohen përshtypjet e miqësisë tënde. Të ndarë prej shumë kohësh nga njëri – tjetri, kjo miqësi reciproke, e thënë nga ti, ishte si e përgjumur, dhe ti dëshiron ta zgjosh atë nëpërmjet një aleance intime (të ngushtë).

E pranoj propozimin tënd me kënaqësi, por jo të gjitha kushtet.

Kështu, aleat dhe mik i venedikasve, nuk mundem, pa shkelur mbi betimin dhe dinjitetin tim, të të jap lejekalim për t’i sulmuar.

Përsa i përket dhënies peng të djalit tim, për ta pasur atë si nyje të një lidhje të re mes nesh, zemra e një babai dhe një nëne nuk mund të përballojë një sakrificë të tillë. Është fëmija i vetëm që Zoti na ka dhuruar, dhe është akoma i mitur ! Përveç kësaj, do t’i shkaktohej një dëm i pariparueshëm nëse nuk rritet me zakonet dhe fenë e vendit të tij.

Tani, mbetet çështja në lidhje me tregtinë e lirë mes dy vendeve ; këtë, i gjithë Këshilli im dhe unë, ne e mbështesim plotësisht, sepse të dy kombet gjejnë një përfitim të barabartë.

Ti më fton për vizitë, me besimin më të plotë, për të përforcuar mes palëve një miqësi prej kohësh në vuajtje : falenderime princ i shkëlqyer për mirësinë tënde. Fatkeqësisht për mua, ky udhëtim në Konstandinopojë, i cili më sjell ndër mend shumë kujtime, nuk është i mundur nga që përkujdesem për qeverinë time ; sepse po të vij, nuk mund të drejtoj si duhet këtë komb krenar shqiptar po aq të zjarrtë dhe të pathyeshëm, sa dhe të padurueshëm për pushim (paqe).

Por këtë vizitë e shtyjmë për një herë tjetër, do të mundohem kur të jetë e mundur.

Nga ana jonë, 1 qershor 1461. »

Burimi: (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), ne kete link: https://www.darsiani.com/la-gazette/leterkembim-i-vitit-1461-mes-sulltan-mehmetit-dhe-gjergj-kastriotit/

Dosja “Xibraka”, dalin përgjimet që fundosën Ermal Hoxhën dhe grupin

Laboratori i kokainës në Xibrakë dhe përfshirja e nipit të Enver Hoxhës, Ermal Hoxha, ishte një prej operacioneve më të rëndësishme të zhvilluara nga policia në këto vitet e fundit.

Bisedat e koduara, ç’ishte “orkestra”, “elefanti” dhe “larja e rrobave”.

ABC News ka siguruar dosjen gjyqësore të Krimeve të Rënda ndaj nëntë të pandehurve të dosjes “Xibraka”, të akuzuar si të përfshirë në prodhimin dhe përpunimin e kokainës.

Në material zbardhen bisedat e përgjuara mes të pandehurve dhe gjuha e koduar për t’i shpëtuar drejtësisë.

Pas vendimit të Shkallës së Parë në korrik të këtij viti dosja është zhvendosur në Apelin e Krimeve.

ImageImageImageImage

Dosja e Prokurorisë për Krimet e Rënda

Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se ka nisur në bazë të një informacioni të mbërritur në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme në datë 17.12.2014 nga ana e autoriteteve gjyqësore gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të lëndëve narkotike. Ky informacion iu përcoll Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila në dt. 18.12.2014, regjistroi me iniciativë (kryesisht) procedimin penal për “trafikim të lëndëve narkotike” dhe vijoi hetimet lidhur me personat e dyshuar si të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal.

Në bazë të të dhënave të përfituara gjatë hetimeve paraprake, të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në datë 14.01.2015, prokuroria njofton se u organizua operacioni për arrestimin në flagrancë të disa shtetasve, të cilët gjendeshin në ambjentet e një ish-magazine, e cila rezultoi që ishte shndërruar nga të dyshuarit në një laborator për përpunimin e lëndës narkotike të llojit kokainë. Po ashtu, në vijim të operacionit, në bazë të të dhënave të përftuara gjatë hetimeve paraprake të Prokurorisë për Krime të Rënda, u arrestuan edhe disa persona të tjerë në zona të ndryshme, në total u arrestuan 9 persona.

“Në bazë të veprimeve paraprake dhe provave materiale të zbuluara gjatë operacionit, personat e arrestuar, dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “trafikimit të narkotikëve”, të mbetur në tentativë, “prodhimit dhe fabrikimit të lëndëve narkotike dhe psikotrope, “prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të paligjshëm të prekursorëve”, “mbajtjes, prodhimit dhe transportimit të substancave kimike” si dhe “grupit të strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 283/a-22, 284/c, 284/ç, 285 dhe 333/a. Ndërkohë, dy prej tyre akuzohen edhe për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” të parashikuar nga nenet 278/2 dhe 278/4 të Kodit Penal. Në bazë të të dhënave të siguruara deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për 9 personat”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Të akuzuarit:

1. Ilir Hyseni
2. Gentian Gjonaj
3. Kelmend Dalipi
4. Arjan Dalipi
5. Sajmir Batku
6. Ermal Hoxha
7. Kastriot Imeri
8. Cesar Avila
9. Valther Moreno

***

Prokuroria për Krimet e Rënda ka krijuar dyshimet e para mbi rolet e të arrestuarve nga operacioni policor që zbuloi të mërkurën një laborator të drogave të forta në Xibrakë të Elbasanit.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal me role të ndara. Burime të Prokurorisë bënë me dije se i arrestuari Ilir Hyseni realizonte kontaktet me furnitorët dhe blerësit fundorë në Gjermani.

I arrestuari Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, dyshohet se siguronte mjetet financiare.
Pjesa tjetër e të arrestuarve dyshohet të jenë korrierë, ndihmës dhe bashkëpunëtorë të niveleve më të ulëta.
Burime pranë organit të akuzës konfirmuan që grupi i trafikut ka të paktën një vit që vepron në Shqipëri, por aktiviteti i dy muajve të fundit është monitoruar.

Haki Çako, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë, tha mbrëmë në programin “Opinion” se kokaina nuk vinte e pastër në Shqipëri, por në forma të ndryshme, kryesisht e shkrirë në një solucion për lëkurat.
Sipas të dhënave nga hetimi, i arrestuari Ilir Hyseni është personazhi kryesor që mbulonte sigurimin e drogës jashtë vendit dhe sjelljen e saj në Shqipëri.

Në vijim ishte po ai që survejonte kalimin e saj në vende të Europës, kryesisht në Gjermani. Sipas hetimeve, i arrestuari tjetër i këtij operacioni, Ermal Hoxha, ka pasur rolin e financuesit dhe të financierit. Ai dyshohet se ishte personi që mbulonte likuidimin e drogës kur hynte në Shqipëri dhe që merrte paratë nga marrësit kur nxirrnin kokainë jashtë vendit.

CIA: Ja si nisën spastrimet me krijimi e Partisë Komuniste, Shehu krimineli më i madh, akuzat e Titos ndaj Hoxhës

Pas krijimit të Partisë Komuniste, nisën spastrimet e kundërshtarëve në 1948. Gazeta publikon vijimin e materialit të deklasifikuar nga CIA mbi krijimin e PPSH, ku tregohet se si të gjithë ata që ngrinin zërin pushkatoheshin dhe zhdukeshin. Nga ana tjetër, në artikull dëshmohet mllefi ndaj Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Në një tjetër dokument të deklasifikuar, CIA tregon përplasjet mes Enver Hoxhës dhe Titos.

Eliminimi i opozicionit

Por përballë kritikave të vazhdueshme dhe humbjes së terrenit, klika burokratike kërkonte ta nxirrte veten nga pozita e sikletshme, kësaj radhe me anë të atentateve ndaj anëtarëve revolucionarë të papërkulshëm. Kështu ndodhi me Anastas Lulën, marksist-leninistin më të njohur në Shqipëri. Sapo shoku i partisë Difi zgjoi për vrasjen, ai shkoi të takonte shokun Xhepi për të diskutuar zhvillimin dhe atë që duhej bërë më tej. Difi ishte komisari politik i batalionit të Mallakastrës, që asokohe ishte njësia më e madhe ushtarake partizane. Difi informoi Xhepin sesi Komiteti Qendror e kishte dënuar me vdekje si atë dhe Anastasin. Ai përshkroi vrasjen e Anastasit dhe tha se edhe Xhepi do të vritej fshehtësish gjatë natës, por do varrosej me nderime për arsye të popullaritetit të madh në Vlorë. Duke pranuar se po thyente disiplinën e partisë, Difi tha se duhej gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund fushatës kundër individëve, dhe akuzoi komitetin qendror se ishte vetëm një klikë që po kërkonte të monopolizonte udhëheqjen e partisë. Prandaj, tha ai, ata kërkonin të eliminonin të gjithë revolucionarët e vërtetë. Ai i bëri thirrje Xhepit të gjenin një mënyrë për t’i dhënë fund aktiviteteve të klikës partiake. Xhepi tha se mënyra më e mirë komuniste do të ishte thirrja e një kongresi ku të ishin prezentë të paktën dy anëtarë të secilit grup, së bashku me përfaqësuesit e komiteteve rajonale të Vlorës dhe dy anëtarë të Komitetit Qendror (meqenëse Vlora ishte një nga qendrat më revolucionare, mendohej se zbatimi i direktivave leniniste do të bëhej më mirë aty). Qëllimi i këtij kongresi do të ishte ekzaminimi i gabimeve të partisë dhe dënimi i fajtorëve. Por megjithë faktin se më shumë se 80 për qind e luftëtarëve dëshironin thirrjen e kongresit, komiteti rajonal i Vlorës dhe komiteti qendror e kundërshtuan fuqimisht idenë. Fillimisht ata pretendonin se ishin dakord me idenë e kongresit, vetëm për të fituar kohë në përgatitjen e planit për eliminimin anëtarëve më aktivë të partisë. Pas përgatitje së planit të tyre të terrorizmit në parti, u arrestua fshehtësisht komisari politik i komunës së Dukatit. Ata organizuan dhe grackën e vrasjes së Xhepit, por ai i shpëtoi tentativës pasi shokët e tjerë e lajmëruan në kohë. Tradhëtisht ata arrestuan komisarin politik Xhemil Cakëri dhe majorin Vangjo, i batalionit të Vlorës. Komisari politik u vra brutalisht, kurse majori arriti të shpëtonte me një plagë në dorë, dhe u strehua në një fshat ku u prit mirë nga banorët. Mehmet Shehu (sot krimineli më i madh në Shqipëri) shkoi në këtë fshat dhe arrestoi përsëri Vangjon, duke u thënë fshatarëve se vrasjet ishin bërë në mënyrë aksidentale dhe se tani Vangjo do të gjykohej nga drejtuesit e partisë. Vangjo u shoqërua në një shtëpi në mes të pyllit, ku u detyrua të nënshkruante një dokument që i jepte komandën e batalionit Mehmet Shehut. Ai u mbajt aty i burgosur për tre muaj, deri sa u arratis dhe u bashku me shokët e opozicionit. Ndërkohë në partinë komuniste vrasjet e revolucionarëve opozitarë ishin shtuar, ndërsa në propagandën e saj drejtuesit thoshin se kongresi i thirrur ishte një tentativë për shkatërrimin e partisë komuniste, e drejtuar nga Xhepi. Por sikur opozita e partisë të kishte dashur shkatërrimin e organizatës staliniste, kjo do të kishte qenë diçka e thjeshtë sepse stalinistët ishin të paktë në Vlorë. Revolucionarët opozitarë refuzuan të përdornin metodat terroriste dhe dëshironin të vepronin sipas rregullave sepse ata nuk ishin armiq të partisë. Është e qartë se opozita revolucionare e partisë kishte rënë viktimë e makinacioneve dhe të paskrupujve që po eliminonin të gjithë komunistët që sihin deklaruar në favor të kongresit. Klika burokratike refuzoi kongresin sepse i trembej humbjes së kontrollit të partisë dhe sigurisht prej faktit më kryesor se edhe ata vetë nuk ishin të pavarur. Dikush tjetër ishte komandanti i vërtetë në Shqipëri dhe ky ishte gjenerali Stalin.

Situata

Gjithsesi situata tragjike është e mjaftueshëm për të demonstruar se stalinizmi jo vetëm kishte zëvendësuar fashizmin, por kishte tejkaluar metodat e tij në politikë. Rrjedhimisht nga Partia Komuniste Shqiptare nuk mund të pritej shumë, kur edhe parti të tjera më të mëdha si ajo franceze, ishin marrë peng nga burokratët e Kremlinit. Lëvizja komuniste shqiptare ishte ende në fazën e saj embrionale. Shumë pak e kishin idenë e nocioneve të Marksizëm-Leninizmit, ndërsa të tjerë ishin simpatizantë sentimentalë të drejtësisë që ofronte komunizmi dhe nuk ishin të stërvitur si luftëtarë. Kjo ndodh sepse vetë komunizmi është ideologjia e lindur nga lufta e klasave dhe kushte të caktuara ekonomike, dhe në Shqipëri këto elementë nuk kishin arritur një maturi të mjaftueshme. Gjithashtu komunistët shqiptarë ishin organizuar vetëm prej një viti e gjysmë dhe nuk ishin të zhvilluar në doktrinën e tyre. Proletariati industrial dhe lufta e klasave nuk ekzistonte në Shqipëri, por populli gjithsesi kishte treguar frymë revolucionare gjatë shekujve të luftës për mbijetesë. Pas refuzimit të kongresit dhe përdorimit të metodave terroriste, klika burokratike e Partisë Komuniste shqiptare publikoi një dokument të gjatë me titull “Përse u ndamë nga e ashtuquajtura Parti Komuniste”, i cili ishte nënshkruar “Organizata e vërtetë komuniste”. Pas publikimit të traktit opozitarët revolucionarë në Vlorë bënë lëvizje të ngjashme në qendrat e tjera të Shqipërisë, veçanërisht në Berat ku ishin liderë luftëtarët Resul, Namik dhe Fatbardh. Për fat të keq këto lëvizje kishin vetëm rëndësi lokale pasi klika burokratike kishte konsoliduar pozitën e saj me anë të metodave terroriste dhe demagoge. Më pas, stalinistët akuzuan opozitën për veprimtari reaksionare, por revolucionërët arritën të provonin me fakte se ishin stalinistët që po përdornin metoda terroriste kundër shokëve opozitarë në parti. Njerëzit po largoheshin gjithnjë e më shumë nga partia kur panë sesi u ekzekutuan revolucionarë të njohur si Anastas Lula, Neki Hoxha (Vangjo), Xhemil Cakerri, Llazar Fundo, Resul Tozhari, Namik Nekumerja, Xhafer Dalami, Xhelal Hoxha, Nimet Mita, Haki Xhelo, Duro Kanina, Idajet Bolena, Zef Joja dhe shumë të tjerë që ishin dalluar për aktivitete revolucionare. (Llazar Fundo dhe Halim Xhelo ishin propagandistët e parë në Shqipëri. Llazari ishte gjithashtu anëtar i vjetër i Komintern, por u distancua kur pa se organizata po transformohej në një vegël burokratike të Kremlinit. Ai kishte denoncuar tradhtinë e Stalinit, dhe për të ruajtur traditën komuniste, nisi të përhapte idetë Troskiste në Shqipëri). Njerëzit humbën besimin te partia kur mësuan se një kolonel fashist qëlloi në ajër nga gëzimi kur mësoi për vrasjet e heronjve revolucionarë, që kishin qenë armiqtë kryesorë të fashistëve në Shqipëri. Njerëzit u tmerruan kur mësuan se armiqtë më të rrezikshëm të fashizmit ishin vrarë nga vetë partia e tyre, e cila tani po plotësonte dëshirat e rivalëve të tyre fashistë. Tashmë Partia Komuniste kishte eliminuar njerëzit që kishin provuar devotshmërinë e tyre ndaj lëvizjes dhe po zëvendësohej nga persona injorantë e të pavlerë si koloneli Enver Hoxha me shokë. Shumica e shqiptarëve dhe e komunistëve po e shikonin dita-ditës degjenerimin e komunizmit prej ndërhyrjes së stalinistëve. Të ashtuquajturat “gjykatat e popullit” po i tregonin njerëzve qëllimet e vërteta të mbështetësve të “demokracive të reja të popullit”. Vrasjet djallëzore të qindra revolucionarëve marksistë-leninistë, dënimi me vdekje i kohëve të fundit i revolucionarit të njohur Hasan Reçi, burgosja e revolucionarit Kadri Hoxha, mënjanimi i revolucionarit Sejfulla Malishova, privilegjet e kikës burokratike dhe mbi të gjitha shtypja e popullit nën diktaturën e elitës, ishin shenjat më të qarta të tradhëtisë ndaj lëvizjes komuniste shqiptare. Hasan Reçi është dënuar tre herë me vdekje për të qenit komunist; njëherë nga qeveria e mbretit Zog, nga forcat pushtuese fashiste dhe për herë të tretë nga stalinistët. Kadri Hoxha ka qenë gjithashtu një nga luftëtarët më të devotshëm, ndërsa Sejfulla Malishova është një pionier i komunizmit shqiptar, që shumicën e jetës e kaloi jashtë vendit duke u përpjekur të koordinonte lëvizjesh shqiptare në vende të tjera. Ai ka qenë profesor filozofie materialiste në universitetin e Moskës. Tani çështja mbetet nëse populli shqiptar do të qëndrojë përjetësisht pasiv dhe ta konsiderojë këtë gjendje si një sëmundje të pashërushme, apo do të kuptojë rëndësinë e aktivizimit. Por pasi e pa me sytë e tij tradhëtimin e idealeve me vrasjen e qindra aktivistëve revolucionarë, ata rrjedhimisht do të zgjedhin rrugën drejt shoqërisë humane të socializmit, duke refuzuar krimet e stalinistëve nën maskën e Internacionales së Katërt Komuniste. Pas shkrimit të këtij artikulli, një krizë e gjerë u zhvillua në qeverinë komuniste të Hoxhës, si rezultat i çështjes jugosllave. Pesë anëtarë të Byrosë Politike u shkarkuan, dy prej të cilëve, ministri i Brendshëm Koçi Xoxe dhe Pandi Kristo iu bashkuan rezistencës ilegale. Me siguri kjo krizë do të ndihmojë revolucionarët shqiptarë ta çlirojnë veten nga dominimi stalinist, i cili duke pasur parasysh sa u tha më sipër, ka pasur efekt shkatërrimtar në lëvizjen e re komuniste shqiptare.

 

15 mars 1959

Marrëdhëniet e Jugosllavisë me bllokun

Veprimet e fundit të Beogradit tregojnë se në kontrast me qasjet e mëparshme, ai tashmë është i gatshëm të reagojë kundër bllokut sovjetik dhe sulmeve anti-jugosllave. Marrëdhëniet e zakonshme armiqësore me Shqipërinë kohët e fundit janë përkeqësuar edhe më shumë me shkëmbime protestash dhe akuzash. Kohët e fundit Beogradi ka vendosur papritur të publikojë gjyqet e shqiptarëve të akuzuar për spiunazh ndaj Jugosllavisë. Ky është një ndryshim i konsiderueshëm që prej janarit të shkuar kur Beogradi anuloi gjyqet publike të 25 jugosllavëve pro-sovjetikë, pasi i trembej pasojave në marrëdhëniet me bllokun. Në fjalimin e Titos në Shkup më 6 mars ai quajti liderin shqiptar Enver Hoxha “luftënxitës … Goebel-i i ri i Ballkanit”, ndërsa një ditë më parë kërcënoi se do të denonconte sulmet “irredentiste” të Shqipërisë dhe Bullgarisë para Kombeve të Bashkuara. Tito ka shprehur gjithashtu vendosmërinë e tij për t’iu kundërpërgjigjur të gjithë akuzave të bllokut në të ardhmen, duke bërë të qartë se nuk do të ketë marrëveshje me Bllokun për sa kohë që Moska lejonte veprime të tilla. Më 14 mars Beogradi njoftoi thirrjen e ambasadorit të tij në Shqipëri dhe kalimin e tij në detyra të tjera. Edhe Shqipëria pritet të bëjë reagimet e saj të ngjashme por asnjë nga vendet nuk pritet të nisë një ndërprerje të plotë të marrëdhënieve. Edhe një ngrirje e ngjashme në lidhjet me Kinën, nuk rezultoi në prishjen e plotë të marrëdhënieve. Veprimet e Beogradit parashikojnë një përkeqësim të mëtejshëm të lidhjeve me bllokun sovjetik, veçanërisht me Shqipërinë dhe Bullgarinë. Krisjet ideologjike të Jugosllavisë me bllokun sovjetik nuk duket se kanë perspektivë zbutjeje. Jugosllavët dolën nga kampi komunist në 1958 por ngulin ende këmbë se marksizëm-leninizmi po interpretohet korrektësisht në Jugosllavi. Shkakun e prishjes Beogradi nuk e konsideron si ideologjik, por si rezultat i refuzimit të dominimit sovjetik prej tij, dhe thotë se edhe vende të tjera të bllokut po ndjekin shembullin e Jugosllavisë për praktikat e brendshme. Tito tha më 7 mars se debati nuk është teorik, por rezultat i “ndryshimeve të opinionit në disa çështje që janë ngritur nga praktika e zhvillimit socialist, si në bllok ashtu dhe në Jugosllavi. Megjthë pretendimet sovjetike të shtypjes së revizionizmit, në kongresin e 21-të të partisë, Moska duket se është e shqetësuar për influencën ndarëse të Jugosllavisë në bllok, pas simpatisë që ka marrë nga vende të Afrikës dhe Azisë. Me qëllim të diskreditojë teorinë jugosllave në bllok, sovjetikët refuzojnë arritjet e brendshme të Jugosllavisë. Tito ka vizituar kohët e fundit vende si Indonezia, Burma, Cejloni e Sudani për të akumuluar mbështetje, por Kremlini i ka quajtur jugosllavët “agentë imperialistë”. Kjo binte në kundërshtim me deklaratën e Hrushov në fjalimin e hapjes në Kongres, ku tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me jugosllavët në përpjekjet kundër imperialistëve, aty ku përputhen interesat e dy vendeve. Që prej nisjes së konfliktit, diferencat partiake kanë dhënë rezultate dhe në marrëdhëniet shtetërore, siç ilustrohet aktualisht nga tensionet shqiptaro-jugosllave. Marrëdhëniet me Pekinin janë thuajse pezulluar që prej verës së shkuar dhe i vetmi vend me të cilin Beogradi ka lidhje është Polonia, me të cilën vazhdojnë këmbimet ekonomike, kulturore dhe shkencore. Megjithse kreditë ekonomike të BRSS për Jugosllavinë janë ndërprerë , Moska dhe satelitët e saj i tremben një bllokade të gjerë ekonomike ndaj Jugosllavisë, pasi herën e fundit rezultoi e paefektshme dhe mund të zgjojë simpatinë e vendeve afrikane dhe aziatike. Të gjithë vendet komuniste përveç Kinës dhe Rumanisë, kishin bërë marrëveshje tregtare me Jugosllavinë në 1959. Nëse këto marrëveshje zbatohen pozita tregtare e Jugosllavisë me bllokun lindor nuk dëmtohet shumë, por për këtë Jugosllavia nuk ka siguri.

 

Kërcënimet

Gjithsesi nga frika e kërcënimit për humbjen e tregjeve të bllokut lindor, jugosllavët kanë nisur kërkimin e alternativave të tjera. Ndërkohë ndihma e Shteteve të Bashkuara për Jugosllavinë vazhdonte në nivel të lartë për vitin 1959: 22.5 milionë dollarë për impiantin e fertilizuesve në Pancevo, 5 milionë dollarë për motorët e benzinës, 14.2 milionë dollarë për shëndetësinë, arsimin e bujqësinë, 62,2 milionë dollarë për zhvillim të përgjithshëm ekonomik. Britania ka dhënë 3 milionë paund për bujqësinë dhe pajisje të tjera dhe Franca gjithashtu ka treguar interes për asistencë. Ndërkohë Beogradi po punon zhvillimin dhe arritjen e tregjeve të tjera të materialeve bazë në Azi e Afrikë. Gjatë turneut diplomatik të Titos në Indonezi, Burma, Cejlon, Indi, Etiopi e Sudan, vendet pranuan në parim përmirësimin e lidhjeve ekonomike, dhe premtimet mund të jenë mjaft të frytshme për jugosllavët, në një kohë kompeticioni nga vendet e bllokut. Por megjithë tensionet me vendet e bllokut lindor, Beogradi po tregohet i vendosur të mos ndërthuret shumë me vendet e Perëndimit, duke dashur të ruajë politikën e tij të paanësisë.

Pas kthimit të Titos në Jugosllavi, ai dënoi fuqimisht akuzat e bllokut se po përpiqej të krijonte një “bllok të tretë” apo të ringjallte paktin e Ballkanit me Greqinë, që sipas Hrushovit e afronte Jugosllavinë me NATO. Pakti i Ballkanit thuajse nuk u prek fare gjatë bisedimeve me Karamanlis. Një zëdhënës jugosllav sulmoi gjithashtu më 13 mars shtypin e Turqisë për “shtrembërime” mbi Jugosllavinë, me shumë gjasa për të theksuar faktin se Jugosllavia nuk kërkonte rihapje të Paktit të Ballkanit.

Le Radical (Prill, 1913): Intervista e Isa Boletinit – shqiptarit të famshëm dhe ministrit të Luftës në Qeverinë e Përkohshme – për kufijtë e Shqipërisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – … Shtator 2017

Gazeta franceze, “Le Radical”, ka botuar, të mërkurën e 9 prillit 1913, në faqen n°3, intervistën e patriotit dhe trimit shqiptar, Isa Boletini, në lidhje me përcaktimin e kufijve të Shqipërisë.

Atdhetari shqiptar, ashtu siç i ka hije një lideri, ka mbrojtur asokohe çështjen e kombit tonë, madje duke dhënë edhe disa këshilla për fqinjët tanë.

Në vijim, do të gjeni intervistën e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

Kufijtë e Shqipërisë

Romë, 8 prill. – Në një intervistë, Isa Boletini, shqiptari i famshëm, i cili aktualisht shërben si Ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme, ka shprehur :

Në qoftë se është ende e pamundur të shprehemi për vijën e saktë të kufijve, mund të themi se shqiptarët nuk do të heqin dorë kurrë nga qytetet e Gjakovës, Pejës, Manastirit, Shkupit, Shkodrës dhe Janinës, nga që i konsiderojnë logjikisht pjesë të territorit të tyre. Këto qytete janë kryesisht shqiptare; ata na përkisnin për shekuj me radhë; në zemër, ato kurrë nuk kanë reshtur të jenë tonat. Bashkëqytetarët tanë i banojnë pothuajse tërësisht. Na u tha që edhe sikurse Evropa të na japë një status, ne nuk do të jemi të sigurtë ndaj ndonjë rreziku tjetër.

Në fakt, na shpjegojnë se Fuqitë e Mëdha i patën garantuar solemnisht Turqisë integritetin e territorit të saj, dhe megjithatë Turqia u nënshtrua nën shtytjen e tërbuar të shteteve aleate.

Mos vallë edhe Shqipëria do të shypet ? Unë jam i lumtur t’u përgjigjem këtyre shqetësimeve duke i siguruar miqtë tanë.

Krejt ndryshe është situata jonë : populli shqiptar është një popull homogjen, i nxitur nga patriotizmi i zjarrtë, lufton për një ide. Ai nuk shpall luftë, por mbizotëron dhe triumfon nëpërmjet kryengritjes.

Shikoni të kaluarën tonë: lëvizjet tona kryengritëse kanë qenë gjithmonë lëvizje fitimtare. Shtetet e Ballkanit kanë çdo interes të jetojnë në mirëbesim me shtetin autonom të Shqipërisë. Në rast të shkeljes së drejtave, në kundërshtim formal dhe të qëllimshëm të Evropës, njëqind mijë luftëtarë që kemi në dispozicionin tonë, nuk do të vonojnë të sulmojnë së shpejti shtypësit, nëse Serbia, Greqia dhe Mali i Zi përpiqen të mbajnë nën sundim qytetet shqiptare që kanë pushtuar, atëherë atyre do t’u duhet të mbajnë ushtritë përjetësisht në gjendje lufte. Një perspektivë e tillë do t’i lodhte para nesh.

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-radical-prill-1913-intervista-e-isa-boletinit-shqiptarit-te-famshem-dhe-ministrit-te-luftes-ne-qeverine-e-perkohshme-per-kufijte-e-shqiperise/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.

Prof. Kabo: vetëm 3 nga 11 e kaluan testin – Voal sjell Dossierin e plotë me gjithë intervistën të zbardhur dhe me video

Akademiku Përparim Kabo ka reaguar pas kronikës së publikuar nga ‘Channel One’, ku ai u drejtonte disa pyetje të përgjithshme kandidatëve për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, por të cilët nuk ishin në gjendje të përgjigjeshin. Për shkak se kandidatët që do bëjnë vetting-un në Shqipëri nuk e kaluan provën e profesor Kabos, reagimet në media dhe rrjetet sociale ishin të shumta. Kabo ka reaguar dhe sqaron se qëllimi i tij ishte të shikonte nivelin kulturor të kandidatëve, ndërsa vlerëson si të shkëlqyer vetëm 3 nga 11 kandidatët.

 

Perparim Kabo

Perparim Kabo

“Të nderuar miq të njohur dhe të panjohur…qëllimi im ishte të shikoja nivelin kulturor të kandidatëve për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ekspertiza e tyre profesionale ishte vlerësuar nga institucionet e arsimit të lartë. Në këto kushte unë provova thjesht atë që quhet kujtesë institucionale dhe kulturë e gjërë intelektuale. Nga 11 vetëm 3 për mua ishin të shkëlqyer. Tani që shohim se kë do zgjedhin deputetët, këta të tre apo restin…Unë fola sepse nuk e dua atdheun tim si edhe Ju miq, me heshtjen. Kultura e lart nuk të lejon të biesh në banalitet, kultura e munguar të përqafon me vesin dhe banalitetin ordiner. Ju faleminderit . Atdheu mbi gjithçka”, shprehet Kabo.

 

Përgjigjet e çuditshme. Këta janë njerëzit që do të zbatojnë Vettingun (VIDEO)

 

Këto ditë kandidatët për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe atë të Gjyqësorit, nga radhët e akademikëve, u “intervistuan” nga kolegët e tyre, përpara se emrat të dërgohen në Parlament për miratim.

Procesi i vlerësimit të njerëzve që do të kryejnë Vettingun ka nxjerrë në pah se personat që kanë marrë përsipër të jenë pjesë e institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë, kanë mungesë të theksuar të njohurive të përgjegjshme për drejtësinë.

Kandidatët do të kanë në dorë gjithë emrat e drejtësisë për Vettingut dhe pyetjet ndaj tyre kanë qenë nga më të ndryshmet.

Juria ka mbetur e shokuar nga përgjigjet e pedagogëve të juridikut dhe magjistraturës, pasi iu ka drejtuar pyetje elementare, herë herë edhe “provokuese”.

Ajo që ra në sy është fakti se kandidatët nuk njohin prokurorë që kanë drejtuar institucionet shqiptare, si Alush Dragoshi, apo Maks Haxhia, pas pyetjeve të drejtuara nga Përparim Kabo. Kujtojmë se 5 kandidatët aplikuan të jenë anëtarë të trupës që do të hetojë mbi prokurorët dhe gjykatësit. Madje, disa prej tyre shprehen konfuzë edhe kur pyeten se çfarë libri kanë lexuar së fundmi. Për më tepër.

Disa nga pyetjet dhe përgjigjet më pikante:

Përparim Kabo: Pse më jep garanci se nuk do korruptohesh?

 Maks Çoku: Se e kam dhënë gjithë këto vjet. Prej 23 vjetësh kam qenë me integritet, i drejtë kur ka qenë për të qenë i tillë, guximtar, mbase dhe më ka kushtuar kur e kam mbajtur. Jam zënë kur është dashur për tu zënë. Jam shmangur shumë sepse ashtu më ka pëlqyer, por ama jam ky që jam.

 Përparim Kabo: Kur keni refuzuar për herë të fundit bakshish?

Erjon Muhamerraj: Para një jave.

 Përparim Kabo: Ngrihesh në mëngjes dhe sheh në inboxin e telefonit tënd, një mesazh nga një kriminel nga burgu që të kërcënon se do të rrëmbejë fëmijët nëse nuk do i japësh atë që ai të propozon. Si do silleshe?

Brunela Kullolli: Do ta fik telefonin dhe do qetësohem (qesh)

Përparim Kabo: Telefonin mund ta fikësh por si do sillesh atje ku do shkosh në mbledhje për të marrë vendimin?

Brunela Kullolli: Është një shprehje popullore që thotë Qeni që leh nuk ha.

Përparim Kabo: Lëre atë ti. Një nga faktorët që e ka dëmtuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe që do vazhdojë ta dëmtojë është krimi. Këtë mos e harro. Ju do përballeni edhe me presionin e krimit.

Përparim Kabo: Z. Panda cili është objekti më i shtrenjtë që keni blerë në jetën tuaj?

Ilir Panda: Një pendë ose penë. E kam blerë në një dyqan librari që e kam blerë në ShBA, bashkë me kallamarin e bojës sepse më kujtonte.

Përparim Kabo: Sa kushtonte penda me kallamarin?

Ilir Panda: 70 dollarë.

Përparim Kabo: 70 dollarë, ky është objekti më i shtrenjtë që keni blerë në jetën tuaj?

Ilir Panda: Po.

Përparim Kabo: Po vetura juaj sa kushton?

Ilir Panda: Nuk e kam një të tillë.

Përparim Kabo: Urdhëro? Nuk keni veturë? Ecni në këmbë?

Ilir Panda: Jo, më pëlqen shumë transporti publik.

Përparim Kabo: Ju keni banuar në rrugën ‘Brigada 8’. Sa e shitët apartamentin?

Ilir Panda: Ka qenë një operacion civil juridik me të cilin ne fakt nuk u mora aspak vetë.

Përparim Kabo: E njihni Alush Dragoshin?

Eriona Canaj: Edhe njëherë ju lutem se nuk ju dëgjova.

Përparim Kabo: E keni dëgjuar ndonjëherë emrin Alush Dragoshi?

Eriona Canaj: Për momentin nuk më kujtohet.

Përparim Kabo: Kleanthi Koçi?

Eriona Canaj: Po.

Përparim Kabo: Çfarë ishte ky? Kompozitor, piktor?

Eriona Canaj: Të parin nuk e mbaj mend sinqerisht.

Përparim Kabo: Dakort, ju kuptoj.

Arben Malaj: Unë prap jam shumë suportiv që zonja të nderuara të marrin përsipër një pozicion kaq të vështirë. Ne ekonomistët themi që gjithçka është ‘tregovë’. Ju doni të promovoheni dhe të merrni një përgjegjësi shumë të madhe. Nga ana tjetër doni totalisht privatësinë tuaj, jo vetëm si individ, por si familje.

Eneida Sema: Nuk mendoj se është problem. E kam pranuar që kur kam shfaqur vullnetin për të kandiduar.

Arben Malaj: Dëshira jonë është të mos dorëzoheni rrugës.

Ksenofon Krisafi: Para disa muajve, ndoshta para një viti dhanë një ngjarje në Universitetin e Shkodrës ku ju jeni pedagog apo jo? Ku një apo dy profesorë u akuzuan nga prokuroria për marifete me notat, me pare me ksi gjërash. Prokuroria i ndaloi, gjykata më duket i liroi. Tani me cilësinë e kandidatit për anëtar i KLP-së, si e gjykoni veprimin e prokurorisë, të nxituar apo objektiv, dhe si e gjykoni veprimin e gjykatës, të korruptuar apo objektiv?

Sander Beci: Unë gjykoj që lidhur me ndalimin, veprimin e prokurorisë e konsideroj të nxituar. Ndërkohë lidhur me hetimin e çdo rasti të lidhur me veprimtarinë e organeve të administratës, universiteteve dhe çdo organi tjetër që ushtron një funksion publik, natyrisht që prokuroria ka të drejtën të hetojë. Ndërkohë që gjykata ka përcaktuar pikërisht pozitën e secilit prej këtyre personave në raport me përgjegjësinë, me ligjin dhe në raport me të drejtat që gëzojnë në kuadër të qenies së tyre.

Reforma në drejtësi, vetting pothuajse janë kompromentuar tashmë në proces. Nuk dua ta besoj këtë. Mendon se do t’ia arrijmë ditës që do të kemi sistem drejtësie siç duhet të jetë?

Gent Ibrahimi: Po është padyshim. Unë jo shpresoj, por di që ne do të bëjmë ato cm e vogla të punës drejt atij objektivi për ta lënë stafetën pastaj në një mënyrë që të jetë e qartë kush ka bërë çfarë dhe me shpresën që do arrijmë në atë objektiv. Por që është vërtetë e vështirë.

CIA zbardh të vërtetën e krijimit të Partisë Komuniste, ja si u thirrën Popoviçi e Mugosha, përplasjet që ndodhën në Tiranë

Zbardhet roli që kishin jugosllavët në krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Kohët e fundit ka pasur shumë aludime mbi krjimin e kësaj force politike, por sipas CIA, autorët ishin Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Pasi nisi të kapitullojë Gjermania naziste, shqiptarët kërkuan ngihem e tyre dhe ata shkuan në Tiranë për të krijuar partinë. Në një dokument të deklasifikuar tregohen gjithë përplasjet që ndodhën në mbledhjet e para.

Nëntor 1948

Historia e intrigave dhe komploteve gjatë krijimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë

Artikulli i mëposhtëm është shkruar nga një prej pionierëve të komunizmit në Shqipëri.

Para vitit 1941 në Shqipëri nuk kishte parti komuniste. Ka pasur vetëm tre grupe të cilët e kishin shpallur veten komunistë, grupi i Shkodrës, Grupi i “Të Rinjve” dhe grupi i Korçës. Por ata vazhdimisht përplasen me njëri-tjetrin. Këto tre grupe nuk kanë eksperiencë dhe edukim në marksizëm-leninizëm, prandaj në kanë arritur të përcaktojnë një linjë të qartë politike. Çdo grup vepronte sipas ideve dhe impulseve të tij politike, por shumica e aktivitetit përshinte polemika me dy grupet e tjera. Në fund të vitit 1941, pas hyrjes së Rusisë në luftë, grupet e Shkodrës dhe i “Të Rinjve” ndjenë nevojën e bashkimit dhe për këtë i bënë thirrje dhe grupit Korçës, por ai refuzoi. Komunistët shqiptarë e konsideronin Bashkimin Sovjetik si qendrën botërore të lëvizjes, të kërcënuar nga ushtria naziste, prandaj kërkuan ndihmë nga jashtë. Provinca shqiptare e Kosovës nën kontrollin e Jugosllavisë solli kontakte mes komunistëve shqiptarëve dhe stalinistëve jugosllavë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Komunistët shqiptarë i shpjeguan atyre situatën e tre grupeve dhe i ftuan komunistët jugosllavë në Tiranë për të ndihmuar në formimin e Partisë Komuniste dhe tejkalimin e mosmarrëveshjeve. Dy jugosllavët u shoqëruan fshehtësisht në Tiranë dhe megjithëse nuk kishin autorizimin zyrtar të Partisë Komuniste jugosllave, ata dhe propozimet e tyre u pranuan. Propozimi i tyre i parë ishte takimi i përcaktimit të përfaqësuesve. Në konferencë do të kishte 16 përfaqësues nga tre grupet, me mision formimin e Partisë Komuniste. Përfaqësuesit prezantuan raporte të punës së tyre dhe kritikat ndaj punës së grupeve të tjera dhe pas kritikave e autokritikave, pati një diskutim të përgjithshëm që degjeneroi në sulme personale, si ato të kohëve të vjetra. Kur më në fund mbaruan diskutimet, jugosllavët me eksperiencë vërejtën frymën e sinqertë revolucionare të grupit të “Të Rinjve” dhe përfituan padrejtësisht nga modestia e tyre për të bërë kritikat e mëposhtme: Ata u thanë se fushata e agjitacionit nuk kishte qenë e madhe sa duhet dhe se grupi ishte mjaftuar vetëm me formimin e kuadrit dhe përkthimin e librave marksistë.

Debatet

Anmastas Lula dhe Xhepi, liderët e grupit të “Të Rinjve”, të mbështetur gjithashtu nga disa elementë të grupeve të tjera (si Vasil Shanto), iu përgjigjën kritikave absurde, si më poshtë: “Ne nuk pretendojmë se kemi bërë gjithçka që duhet të kishim bërë, por ju duhet të kuptoni se kjo që po sugjeroni nuk është diçka shumë e thjeshtë. Ju nuk i njihni rrethanat dhe zakonet e vendit tonë, ashtu siç nuk i njohim ne kushtet në vendin tuaj. Komunizmi është një doktrinë e importuar në Shqipëri, nuk është zhvillim i kushteve ekonomike e sociale të shoqërisë. Lëvizja komuniste këtu po kryhet nga intelektualët dhe veçanërisht nga studentët. Shqipëria është një vend i prapambetur agrar pa industri, ne nuk kemi për shembull, proletariatin industrial dhe rrjedhimisht as organizata proletare, ose të paktën asnjë si këto me qëllime ekonomike. Ju duhet të kuptoni se gjendja e kaluar dhe e tashmë nuk mund të shihet me të njëjtën dritë, pasi kushtet e reja janë tallëse për të parat. Në ditët e para të pushtimit të vendit tonë nga forcat fashiste, agjitacioni masiv dhe i hapur ishte i vështirë për dy arsye: suksesi i shpejtë i nazifashistëve bëri që populli ynë të humbasë shpresën për fitoren e forcave aleate dhe e dyta, në fillim të pushtimit, fashizmi nisi të përmirësonte kushtet ekonomike të vendit, për qëllimet e tij, duke e bërë gjendjen më të mirë se në kohën e mbretit Zog. Por megjithë këtë, ne kemi bërë sa kemi mundur për të qenë në kontakt me masat. Ne nuk jemi kufizuar me hartimet e platformës dhe përkthimin e librave, siç na akuzon grupi i Korçës, në një shembull të urrejtjes së tyre të vjetër për ne. Ne jemi të hapur për kritikat miqësore dhe i mirëpresim, sepse kritikat në ndihmojnë të përmirësohemi dhe të përgatitemi më mirë për të ardhmen. Ne jemi grupi i Të Rinjve, plot entuziazëm por nuk kemi eksperiencë, dhe kjo mund të thuhet edhe për dy grupet e tjera komuniste, të cilët në raportet e tyre ekzagjerojnë punën e kryer. Ne nuk kemi si qëllim vetëm të formojmë grupe aktive që të hyjnë mes masave me flamurë, por sa më shumë grupe të kemi aq më e thjeshtë do të jetë arritja e masave. Ne sapo mbaruan studimet, kemi shkuar në të gjithë vendin për të formuar kudo grupe studimi, numri i të cilave rritet çdo ditë. Këto grupe i kemi formuar në interes të kauzës sonë dhe jo për lavdi personale. Tashmë kemi më shumë aftësi për të influencuar masat dhe të veprojmë drejtpërdrejt kundër fashistëve dhe funksionarëve servilë vendas. Në konkluzion, ajo që është bërë, është bërë dhe nuk mund të ndryshohet. Disa kanë bërë më shumë, të tjerë më pak. Tani çështja është të bëjmë më të mirën tonë, si komunistë të mirë”. Por megjithë këtë deklaratë për justifikimin e punës së tyre, ata nuk mund ta kuptonin se pse dy jugosllavët stalinistë i shinin me negativitet. Gjithashtu, kur ata kërkonin më shumë detaje për urdhrat dhe shpjegimet e tyre, stalinistët nervozoheshin dhe i shihnin me superioritet. Sa herë që kishin nevojë për ndonjë justifikim ata përdornin shprehjen “intelektualizmi” për të fituar argumentin.

Mashtrimi

Në fund të diskutimeve Miladini i kërkoi konferencës së shqiptarëve ta lejonin të vinte emrin e Komitetit Qendror të Partisë. Shqiptarët pranuan, duke mos kuptuar manovrat e zakonshme të stalinistëve. Miladin kërkoi gjithashtu emrat e dy apo tre përfaqësuesve të secilit grup që do të zgjidheshin në Komitetin Qendror të Partisë dhe vendosi kushtin që kandidatët të mos ishin drejtues të mëparshëm të grupeve për të evituar konfliktet mes tyre. Shqiptarët edhe këtë argument e pranuan si të mirëqenë. Disa ditë më vonë, liderit e grupit të Të Rinjve mësuan se komiteti qendror i Partisë Komuniste të Shqipërisë ishte formuar nga liderët e grupeve të tjera dhe nga drejtuesit e tyre ushtarakë. Grupi i të rinjve u zhgënjye kur mësoi të vërtetën e manovrave të Miladinit dhe Dushanit, por nuk shprehën ankesa. Në fakt ata besonin se meqenëse Miladini kishte eksperiencë, ai duhet të kishte besimin e tyre dhe se po vepronte në interesin e partisë. Ata gjithashtu nuk dëshironin që Miladini të besonte se ata dëshironin të ishin me çdo kusht në komitetin qendror, pasi interesi i tyre ishte vetëm ideali komunist. Makinacionet e Miladinit ishin krejtësisht të natyrshme si burokrat stalinist, pasi urdhrat që kishte marrë nga superiorët e tij ishin vetëm krijimi i rretheve të agjentëve të besueshëm jugosllavë, që në momentin e kërkuar të zbatonin me përpikmëri politikat e Kremlinit. Miladini e kuptoi se grupi komunist shqiptar i “Të Rinjve” ishin të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm për misionin e tyre, revolucionarë në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe nuk mund të përdoreshin si vegla për planet e tij.

Formimi i klikës

Sapo u dërguan listat e luftëtarëve dhe materialeve komuniste nga tre grupet, në komitetin qendror të partisë, një nga jugosllavët, Dushan Mugosha nisi formimin e celulave të luftëtarëve. Por duke u trembur nga anëtarët e grupit të “Të Rinjve” ata përfshinë sa më shumë simpatizantë të grupeve të tjera rivale, për të pasur sa më shumë vota të siguruara në komitet. Shokët e pranuar u prezantuan me pretekstin se ishin të vetmit që kualifikoheshin për të qenë luftëtarë të partisë. Ata preferonin pranë tyre njerëz që nuk kishin arsim dhe karakter, prandaj i trembeshin komunistëve të vërtetë si ata të grupit të “Të Rinjve”. Gjatë konferencës së delegatëve për të zgjedhur komitetin rajonal të Tiranës në 1941, një luftëtar i grupit të “Të Rinjve” protestoi kundër këtij tipi menaxhimi, duke e quajtur “fashist” strategjinë e selektimit të fshehtë për zgjedhjen e kandidatëve. Këto fakte dhe të tjera me më pak rëndësi, kontribuuan në lindjen e pakënaqësive në grupin e “Të Rinjve”, të cilët i bënë thirrje ish-liderëve të tyre Anastas dhe Xhepi për të shprehur hapur pakënaqësitë. Por këta të fundit këshilluan shokët e partisë të tregoheshin të përgjegjshëm dhe të mos revoltoheshin pasi partia ishte e re dhe gabimet janë të paevitueshme. Por megjithse Anastasi dhe Xhepi ishin përpjekur të qetësonin komunistët e pakënaqur, duke folur në mbrojtje të partisë, përsëri Miladini dhe komiteti qendror i akuzoi ata për nxitje të konflikteve. Akuzat i revoltuan ata thellësisht, për vetë faktin se kishin qenë nga komunistët më të guximshëm jo vetëm gjatë kohës së fashizmit por dhe gjatë regjimit diktatorial të mbretit Zog.

Konfliktet e para

Sapo Miladini kishte konsoliduar pozitën e tij dhe të klikës së tij në Partinë shqiptare Komuniste, ai thirri kongresin me qëllim gjykimin e Anastasit dhe Xhepit për sjelljet e tyre fraksionale, dhe në konkluzion kongresi doli me këtë deklaratë: “Kemi provuar se ju të dy nuk jeni ende të çliruar nga fraksionizmi dhe ajo që është më e rëndë, keni qenë nxitësit kryesorë të këtij parimi edhe mes shokëve të tjerë të ish-grupit tuaj. Ju duhet të pranoni se jemi një pengesë për partinë. Kongresi kërkon që ju të pranoni gabimet tuaja dhe të bëni autokritikë”. Përveç Miladinit dhe agjentëve të tij të komitetit qendror, në Kongres ishte prezent dhe një individ që 3 muaj më parë vetë Miladini e kishte akuzuar se ishte agjent i shërbimeve të inteligjencës. Megjithë akuzat e rreme, Anastasi dhe Xhepi nuk protestuan, por lejuan që Kongresi të vazhdonte kursin e tij. Ata të dy dhanë përgjigjen e mëposhtme: “Kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet në parti, kjo ndodh sepse diku ka një pengesë. Ne e pranojmë se kjo pengesë është fryma e grupit të vjetër. Por ju nuk duhet ta gjykoni në mënyrë unilaterale frymën e grupit tonë. Meqenëse ne jemi marksistë, problemet duhet t’i zgjidhim me anë të materializmit dialektik, ju e dini se nuk ka efekt pa shkak. Fryma e grupit që manifestohet nga ne ekziston në nivele edhe më të larta në dy grupet e tjera, të cilat janë nën udhëheqjen e partisë. Ndërsa zhdukja e frymës së grupit mes liderëve do të sillte dhe reduktimin e motivimit ndaj kauzës. Por meqenëse ju keni marrë pushtetin për të na gjykuar dhe për këtë arsye nuk mund të gjykoni gabimet tuaja, në interes të partisë ne nuk mund të bëjmë asgjë por vetëm të mbyllin sytë. Ne e përsërisim se fryma e grupit të vjetër do të zhduket vetëm kur të jepni prova të paanësisë deh të drejtësisë”. Ndërsa më pas Miladin Popoviç tha dhe fjalën mbyllëse: “Nëse komiteti qendror vendos të heqë emrat tuaj nga partia, apo nëse duke marrë parasysh kualifikimet tuaja si ish-revolucionarë dëshiron të ruajë kontaktet, jeni të gatshëm të pranoni vendimet e tij? Nga ana tjetër ne duhet t’ju paralajmërojmë se nëse vazhdoni qëndrimin armiqësor partia do të marrë masa më të ashpra ndaj jush”.

Roli i Mugoshës dhe Popoviç

Edhe një fëmijë mund ta kuptonte se Komiteti Qendror i Partisë Komuniste shqiptare ishte vetëm një etiketë dhe se komiteti i vërtetë ishin vetëm Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Të gjithë e kishin kuptuar se anëtarët e tjerë të komitetit qendror ishin vetëm zbatues të urdhrave të Miladinit. Anastasi dhe Xhepi, gjithnjë me shpresën se gjërat do të përmirësoheshin, nuk mund të mbanin qëndrim armiqësor, por përkundrazi ata pranuan të ishin gjithmonë të gatshëm ndaj thirrjes së partisë. Më vonë, megjithëse kishin pranuar bashkëpunimin e ofruar nga Miladini, ata nisën të trembeshin se sulmet e tij sistematike nuk do të sillnin asgjë të mirë. Ata nisën të besonin se ai ishte një shovinist dinak serb, që nën maskën e komunizmit kërkonte të krijonte klikën që i shërben vendit të tij, duke marrë peng lëvizjen komuniste shqiptare. Por drejtuesit e grupit të “Të Rinjve” menduan se ishte më mirë që t’ia linin Komitetit Qendror përgjegjësinë për situatën, duke preferuar të tregoheshin tolerantë dhe jo të bëheshin shkaktarë të prishjeve brenda partisë. Megjithëse ishin përjashtuar nga partia, ata kryen me përkushtim detyrat që i ngarkoheshin. Por ndershmëria dhe përkushtimi revolucionar i irritonte burokratët e klikës, dhe megjithëse ata admiroheshin nga luftëtarët, duhet të eliminoheshin me çdo kusht. Për të arritur këtë drejtuesit urdhëruan që ata të mbaheshin nën vëzhgim të rreptë, dhe veçanërisht Anastasi dhe Xhepi. Këta të dy e kuptuan që po vazhdoheshin por nuk protestuan pasi e dinin se kontrolli dhe disiplina është e nevojshme në parti. Ajo që i habiti ata ishte përdorimi i njerëzve që nuk kishin minimumin e edukimit marksist dhe ishin të pakualifikuar për detyrën. Për më tepër Komiteti i kërkoi agjentëve të bënin raportime negative mbi kolegët e monitoruar. Koloegët e monitoruar mendonin se partia po i vëzhgonte për të dalluar dhe korrigjuar gabimet e tyre, por parimi i Leninit për kontrollin e partisë nga maja në detaje nuk funksionoi kurrë në partinë komuniste shqiptare. Nëse dikush kritikonte drejtimin e partisë, atij jo vetëm që i hiqej e drejta të bënte kritika por diskreditohej duke u quajtur Xhepist, Trotskist, sabotator etj. Kështu për të evituar që të binin pre e këtyre sjelljeve, shokët e partisë nuk guxonin më të kritikonin gabimet që vinin re.

Eliminimi i opozicionit

Por përballë kritikave të vazhdueshme dhe humbjes së terrenit, klika burokratike kërkonte ta nxirrte veten nga pozita e sikletshme, kësaj radhe me anë të atentateve ndaj anëtarëve revolucionarë të papërkulshëm. Kështu ndodhi me Anastas Lulën, marksist-leninistin më të njohur në Shqipëri.  Sapo shoku i partisë Difi zgjoi për vrasjen, ai shkoi të takonte shokun Xhepi për të diskutuar zhvillimin deh atë që duhej bërë më tej. Difi ishte komisari politik i batalionit të Mallakastrës, që asokohe ishte njësia më e madhe ushtarake partizane. Difi informoi Xhepin sesi Komiteti Qendror e kishte dënuar me vdekje si atë deh Anastasin. Ai përshkroi vrasjen e Anastasit dhe tha se edhe Xhepi do të vritej fshehtësisht gjatë natës, por do varrosej me nderime për arsye të popullaritetit të madh në Vlorë. Duke pranuar se po thyente disiplinën e partisë, Difi tha se duhej gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund fushatës kundër individëve, dhe akuzoi komitetin qendror se ishte vetëm një klikë që po kërkonte të monopolizonte udhëheqjen e partisë. Prandaj, tha ai, ata kërkonin të eliminonin të gjithë revolucionarët e vërtetë. Ai i bëri thirrje Xhepit të gjenin një mënyrë për t’i dhënë fund aktiviteteve të klikës partiake. Xhepi tha se mënyra më e mirë komuniste do të ishte thirrja e një kongresi ku të ishin prezentë të paktën dy anëtarë të secilit grup, së bashku me përfaqësuesit e komiteteve rajonale të Vlorës dhe dy anëtarë të Komitetit Qendror (meqënëse Vlora ishte një nga qendrat më revolucionare, mendohej se zbatimi i direktivave leniniste do të bëhej më mirë aty). Qëllimi i këtij kongresi do të ishte ekzaminimi i gabimeve të partisë dhe dënimi i fajtorëve. Por megjithë faktin se më shumë se 80 për qind e luftëtarëve dëshironin thirrjen e kongresit, komiteti rajonal i Vlorës dhe komiteti qendror e kundërshtuan fuqimisht idenë. Fillimisht ata pretendonin se ishin dakord me idenë e kongresit, vetëm për të fituar kohë në përgatitjen e planit për eliminimin anëtarëve më aktivë të partisë.

Lekë Dukagjini i vrau burrin – Princesha Jerina përfundon në manastir. Jeta tragjike e saj

Jerina Dushmani, padyshim ishte princesha më e bukur shqiptare, sipas rrëfimeve të historianëve.

Të paktën, shkrimet e shekullit XV apo dhe më pas, tregojnë për një bukuri të rrallë, duke e krahasuar atë me Helenën e Trojës.

Në fakt, edhe historia e tyre është paksa e ngjashme. Jerina ishte e bija e princit shqiptar Lekë Dushmani.

Bukuria dhe historia e saj, që prej shekujsh u përcoll brez pas brezi, ka edhe tragjedi brenda saj. Bukuria e saj, ishte shkaku e konfliktit mes dy princave më të fuqishëm shqiptarë: Princit Lekë Dukagjini dhe Princit Lekë Zaharia.

Jerina u dashurua me princin Lekë Zaharia, por kjo zgjedhje e saj nuk u pranua nga Lekë Dukagjini.

Duke dashur që të hakmerret, Lekë Dukagjini, vrau Zaharinë. Pas vdekjes së princit Lekë Zaharia, Jerina e Dushmanëve nuk pranoi të martohet me Lekë Dukagjinin. Ajo jetoi e mbyllur si murgeshë në ishullin e Sardenjës në Itali. Para vdekjes ajo la amanet, që trupi i saj të sillet në Danjë, pranë varrit të dashurisë së sajë të përjetshme, Princit Lekë Zaharia.

Kush ishte Lekë Zaharia?

Data e lindjes e Lekë Zaharisë nuk dihet, ndërkohë që ai vdiq më 1445. Ai ishte një fisnik shqiptar nga familja Zaharia. Ai ishte biri i vetëm i  Koja Zaharias.

Lekë Zaharia ishte pjesë e fisnikërisë arbërore, një nga themeluesit e Lidhje e Lezhës dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut. Ai mori pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe ishte anëtar i Lidhjes Shqiptare. Vrasja e Lekë Zaharisë, i cili nuk kishte trashëgimtar, ngriti çështjen e trashëgimit të qytetit të rëndësishëm dhe zotërimeve të tij të Dejës. Venediku, duke bërë për vete nënën e të vrarit, u përgatit për të vënë dorë mbi këtë qendër të rëndësishme doganore.

Skënderbeu dërgoi pranë saj Vrana Kontin për ta bindur që ta vinte qytetin në mbrojtje të Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Pushtimi i qytetit nga venedikasit dhe lajmet diskredituese që kishin përhapur ata se Skënderbeu kishte gisht në vrasjen e Lekë Zaharisë, u bënë shkak për shpërthimin e luftës që ndërmori Lidhja e Lezhës kundër sundimit të Venedikut mbi qytetet shqiptare.

Sipas Marin Barletit, në 1445 gjatë ceremonisë së martesës së motrës së Skënderbeut Mamica Kastriotit, ai pati një grindje me Lekë Dukagjini. Arsyeja e kësaj grindjeje ishte një grua me emrin Irenë Dushmani, nga familja fisnike e Dushmanëve.

Si duket ajo preferoi Zaharian, gjë e cila nuk u pranua nga Dukagjini. Në një luftim të ndodhur në dasmë Lekë Dukagjini mbeti i plagosur, dhe shpëtoi vetëm me ndërhyrjen e Vrana Konti. Më pas, Lekë Zaharia u vra në një pritë dhe Lekë Dukagjini u akuzua për këtë vrasje.

/Konica.al/

NJI PËRMENDORE PËR NJI GJENI – INGJ. LUDOVIK ZOJZI (1910 – 1943) – Nga Fritz RADOVANI

 

RRMAJI  SHKODER

 

 “Kultura asht shpirti i qytetnimit”

Dy çinarë shekullor mbi një stom me emnin e Zef Zorbës, brij lumit Kir, që vazhdon rrugën e tij derisa derdhet në Drinazë brijë Kalasë Rozafat, aty ku janë ledhet e qytetit të vjetër që pjesa ma e madhe janë nën shtratin e këtyne lumenjve, më kanë shtye me pyetë: “Kush ishte Ai burrë, që vuni gurët e qytetnimit mbi këtë stom me emnin Rëmaji?”
Një fushë mbi këtë stom që ma shumë ishte zallishtë me ferra e mrina kishte tërhjekë prej kohësh djelmoçat e rinj për me u argëtue, tue gjuejtë në shenj objektet e mbështetuna në trungjët e këtyne çinarëve.

Këta dy trungje janë koleksionerët ma të vjetër të predhave që janë përdorë në armët e mbajtuna në brezat e qytetarëve të Shkodrës. Një predhë e kalueme andej Zallit të Kirit aty rreth vitin 1840, pat plagosë një ushtar turk i cili mbas pak ditësh pat vdekë. Gjuejtësi i shenjës nuk asht kenë djalë i fisit Ejllori ose Radovani prej Shiroke, por, kjo vrasje padashje i mbet se asht ba prej Pjetër Pal Ejllorit dhe i kushtoi aq shumë këtij fisi, sa prej asaj kohe pasunia, të hollat e tokët e pagueme si damshpërblim nuk u zëvendsuen kurrma në këtë shtëpi. Kjo ngjarje u pat ba shkak me u rrallue ky argëtim në atë vend. Në 10-vjeçarin e fundit të shekullit XIX-të, aty nga 1895, u vendosën disa rrethime mbrenda të cilave ishte një faltore e vogël shumë e vjetër, rreth së cilës filluen me u varrosë qytetarët të cilët nuk kishin tokë ndër vorret e vjetra në fund të rrugës së Badrave, emni i së cilës ka mbetë nga kjo lule që rritët ndër vorre. Hapsina e atij vendi filloi me joshë dëshirën për vendosje të vorreve të reja që janë edhe sot.

Mendja e një shkodrani me emnin Ludovik Zojzi, vendosi përjetësisht mbi atë stom nën ata dy çinarë ato vepra arti që janë sot aty dhe, që thirrën Vorret e Rrmajit. Kapela e atyne vorrezave u projektue dhe u zbatue nga vetë ky ingjenjer. Planimetria e bame prej tij ruhet edhe sot në familjën Zojzi.

Ludovik Zojzi ka lé në Shkodër, më 23 nandor 1910, në familjën e vjetër të Zojzakëve. Kjo shtëpi njihet për intelektualët e mirëfilltë që i ka dhanë qytetit.

Keli ka përfundue shkollën tregëtare dhe ishte një kangëtar i njohtun si tenor në grupet e muzikantëve të At Martin Gjokës. Zefi, ishte dr. avokat i lauruem në Itali.

Rroku, ishte një ndër etnografët ma të mirë të Shqipnisë, për mos me thanë ma i miri dhe ma i zoti. Ludoviku, mbasi përfundoi Liceun “Illyricum”, më 27 qershor 1928, dhe doli me rezultate të shkëlqyeshme spikati me sjelljen e tij shumë të mirë dhe bani për vedi përsonelin e shkollës Françeskane, i cili e dërgoi për studime në Padova, Itali. Atje, ai nderoi brezninë shqiptare për zellin dhe vullnetin me studjue. Më 10 nandor 1933, u laurue me doktoratën e ingjenjerit elektrik, pikërisht, atëherë, kur Shqipnia po bante hapat e para me dalë nga errësina shekullore. Erdhi në Shkodër si profesor në Liceun e Shtetit deri më 1 tetor 1937. Në dy vitet e fundit të qëndrimit në vendlindje ishte edhe ingjenjer këshillues pranë Bashkisë së qytetit. Në vitin 1937, emnohet Drejtor teknik i Drejtorisë së Përgjitheshme të PTT në Tiranë, punë të cilën e vazhdoi deri më 15 shtator 1943, ditë në të cilën sapo delte nga shtëpia me shkue në punë, u vra pabesisht nga komunistët e Tiranës. Kuptohet thjeshtë arësyeja, një ingjenjer shkodran, katolik, i lauruem në Padova, familje intelektuale që nuk ishte pajtue me komunizmin, indiferente ndaj lëvizjes nacional-çlirimtare ashtu si pjesa ma e madhe e Shkodrës që etiketohet shpejt nga grupet komuniste: “..agjent, fashist, bashkëpunëtor i okupatorit e i klerit, spijun e trathtar ..” Këtë fat të zi pat edhe Dr. Ingj. Ludovik Zojzi në moshën 33- vjeçare, i formuem dhe i paisun me kulturën e shëndoshtë bashkohore. Ingj. Ndoc Naraçi, i cili e ka njohë afër Ludovikun, mbasi ka punue me té në Tiranë, më tregonte aty nga viti 1989 se arsyeja e vërtetë e vrasjës së tij asht kenë kërkesa e komunistëve, që ai me bashkëpunue me ta, gja të cilën Ludoviku nuk e ka pranue. PTT e Tiranës ishte një ndër qendrat ma aktive të grupeve komuniste, prandej ata që nuk ishin të lidhun me këta grupe, mendoheshin të rrezikshëm për punën e tyne, duheshin “çëruar”.

Kjo dokumentohët nga gazeta “Zëri i Popullit”, datë 3 dhetor 1959, në artikullin e Qeverim Çelit, ish anëtar i grupit komunist të PTT-së, i cili shkruan: “…Suksesi që arritën grevistët e Drejtorisë së Përgjithëshme të PTT-së, bëri që edhe punonjësve të tjerë t’u shtohej besimi në Partinë Komuniste dhe në udhëheqjen e drejtë të saj. Nga radhët e këtyre grevistëve u organizuan më vonë guerilet, që përlanë spiunin dhe armikun e popullit Ludovik Zojzi.” Ma poshtë shënohën edhe autorët e këtyne veprave të “suksesëshme”, organizatorët dhe kriminelët gjakatarë. Ja si vazhdon artikulli: “…Në atë kohë në Drejtorinë e Përgjithëshme të PTT-së, punonin shokët: Adil Çarcani, Fiqrete Shehu, Nikolla Profi, Mustafa Qilimi, Ilo Panduku dhe të tjerë organizatorë…”.

Cili nga këta kriminelë analfabetë mund të duronte mbi kokë një ingjenjer të lauruem në Padova të Italisë? Kush nga këta fanatikë mund të shihte me sy një ish student të gjimnazit të Fretënve, apo ish nxanësin e shkollës së Jezuitëve të Shkodrës, kur detyra e këtyne grupe vagabondësh ishte shkatrrimi e shqymja nga faqja e dheut e bazave të kulturës Evropiane?

Çfarë menduan për 50 vjet kokat e mykuna me idetë marksiste-leniste e stalinjane, të edukuem antishqiptarë ndër çerdhët e imoralitetit të komunistëve jugosllavë, që vetëm dinin me vra, dhe përshëndetëshin çdo mëngjez me parullat “plumbin ballit Atdhetarëve Atentati kundër Ludovik Zojzit, ishte fillimi i terrorit komunist kundër inteligjencës Shqiptare që ishte formue në shkollat Përëndimore, ishte atentat kundër Evropës së kulturueme, ishte zbatim detyre ndaj mësuesit jugosllav, ishte betim për trathtinë e madhe kombëtare që po bante Partia vëllavrasëse Komuniste e Shqipnisë, kundrejt Popullit të vet Shqiptar!

Kryqat e Vorrëve të Rëmajit ishin ngacmues për nervat e fanatikëve antikatolikë komunistë. Shumë herë u projektuen plane e platforma mashtruese gjoja për ndërtime të reja, vetëm si me i shkatrrue ato vepra arti që kishte projektue dhe zbatue shkodrani Dr. Ingj. Ludovik Zojzi. Sa herë kalonin udhëheqësit e Partisë së Punës andej pari përshpërisnin nën za: “Akoma, këta këtu?!”…

Ishte gjoksi i atdhetarit Gjon Kamsi, ishte Gjikami, vëllai i gjakut të Luigj Gurakuqit që nuk i tutej syni para askujt, veç, shtërngonte nofullat e i thonte hasmit: “ JO! Nuk guxoni me prekë këtë tokë se asht e bekueme me gjakun e Atdhetarëve që kanë punue dhe vdekë për Shqipni! Nuk guxoni me luejtë eshtnat e lyeme me Bagmin Shenjtë të Filip Shirokës, Kol Idromenos, Simon Rrotës, Hil Mosit, Kel Marubit, Don Ndre Zadejës, Dr. Federik Shirokës, Dr. Gjon Saraçit, Prenkë Jakovës, të Kakarriqit, Muzhanit, Topallit, Serreqit, Dedejve, Prelejve, Prennushve etj. që janë kenë gurët e thëmelëve të qytetit!”.
50 VJET PERPARA…1967

E dogjën një natë at Kapelë vorrezash të mbetun shkret… e dogjën një natë çatinë nën të cilën ishin Bekue sa e sa Shqiptarë qyshë në rrethimin e Shkodrës, të vramë nga gjylet e malazezëve… me mauzerrët ruse… e dogjën një natë bashkë me tavolinën ku dora e Bekueme e Meshtarëve freskonte Shpirtnat e sa vetëve që nuk vdisnin, por plasnin, se mbas atij muri rrethues të atyne vorrëve ata kishin të tretun nën pleh, pa një shenj tek koka, Loçkat e zemrës të varruem nga plumbat e komunistëve gjaksorë!

E dogjën një natë, se, mendonin se nën atë çati, ruhën vizaret e kulturës kombëtare!

E dogjën një natë, se, mendonin se ashtu bahët pluhun e hi fara e qytetnimit Shqiptar!

E dogjën një natë, se, kujtuen se do të rrëzohën edhe shtyllat, simbol i martirizimit!…
E dogjën një natë ashtu si librat e bibliotekave të Françeskanëve dhe të Jezuitëve!…   

E dogjën një natë ashtu si shkollën ku mësonte Fishta, Harapi, Zadeja, Prennushi, Kurti, Nika…. E dogjën një natë se vrasësit kanë frikë vetëm nga vdekja!

E dogjën një natë se shumë larg u dukej se nëpër zhuri të Zallit të Kirit, përplaseshin tingujt e një kumbone që binte në një anë edhe nën dhé… e do të lajmëronte ringjalljen! E dogjën një natë, por, harruen se, thëmelet e Krishtënimit nuk prishen dhe as nuk digjen!
E dogjën një natë, por, harruen se mbi ato shtylla asht ende tymi i kemit, djegë në Lavdi të Zotit! E dogjën një natë, por harruen fjalët e Meshkallës, se “ka dymijë vjetë që digjni Ungjillin!”
E dogjën një natë, por, harruen se nën atë tokë vlon gjaku i Ded Gjo’ Lulit me shokë!

E dogjën një natë, por, harruen “me djegë” edhe Don Simon Jubanin!

Melbourne, 2017.

Intervista e Adem Boletinit në gazetën italiane “La Tribuna”, nëntor 1915: “Babai im, Isa Boletini, nuk ka vdekur.” – Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Shtator 2017

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

 

Gazeta franceze, “Le Journal”, ka botuar, të premten e 26 nëntorit 1915, në faqen n°3, një shkrim për Isa Boletinin dhe zërat që qarkullonin për vdekjen e tij.

Për tu dhënë fund këtyre dyshimeve, media franceze është bazuar në gazetën italiane, “La Tribuna”, e cila ka botuar, një ditë më parë për këtë çështje, intervistën e saj me Adem Boletinin, djalin e atdhetarit shqiptar.

Çfarë i ka rrëfyer asokohe Adem Boletini medias italiane ? Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

Isa Boletini nuk ka vdekur

Romë, 25 nëntor. – Adem Boletini, djali i Isa Boletinit, oficer në ushtrinë italiane, mohon vdekjen e babait të tij, agjitatorit të famshëm shqiptar.

I intervistuar nga “La Tribuna”, ai deklaroi se nuk ishte në dijeni se babai i tij kishte vdekur. Madje, për vdekjen e të atit flitet shpesh.

Isa Boletini ndodhet aktualisht  në Cetinje, tha ai.

Pas rrëthimit të Shkodrës, ai pranoi ftesën e qeverisë malazeze për të jetuar në kryeqytetin e vogël me dy vëllezërit e mi.

Dy vëllezërit e mi të tjerë, bashkë me dy prej motrave të mia, janë me nënën time në Mitrovicë.

Isa Boletini ka një dashuri të madhe për vendin e tij dhe dëshiron një Shqipëri të pavarur.

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/intervista-e-adem-boletinit-ne-gazeten-italiane-la-tribuna-nentor-1915-babai-im-isa-boletini-nuk-ka-vdekur/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.

Ditët e fundit të Mehmet Shehut – Shënimet e gazetarit të RTSH-së, Timo Luto

 Ishte 31 tetori i vitit 1981. Do të përgatisja një radioreportazh për muzeun që do të transmetohej pas përurimit të tij. Për tri ditë rresht me magnetofonin në dorë hyja e dilja në këtë muze që akoma nuk kishte hapur dyert për vizitorët. Bëra shumë intervista dhe regjistrova mjaft dokumente e fakte të panjohura më parë. Një ditë para përurimit, radioreportazhin e dorëzova në programacion. Të nesërmen pasdite u bë përurimi i muzeut.

Në orën e caktuar erdhi vetë Enver Hoxha dhe gjithë Byroja Politike. Në hyrje të muzeut Enver Hoxha u prit nga profesor Aleks Buda, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe profesor Skënder Anamali. Ata ishin shoqëruesit në këtë vizitë të tijën në muze. Një nga drejtuesit e lartë të shtetit, kur pa se po nguroja t’u dilja përpara të tjerëve për t’i afruar mikrofonin kur bisedonte Enver Hoxha, më hapi rrugë që të afrohesha. U afrova shumë pranë sa gati e prekja, koka ime dukej gjysmë mbi supin e tij. Po regjistroja gjithçka që bisedohej. Ishim në katin e parë të muzeut, në pavijonin e Lashtësisë. Enver Hoxha dëgjonte shpjegimet e historianëve të njohur dhe pyeste herë pas here. Në një moment ktheva lehtësisht pak kokën pas dhe pashë se shumë pranë kisha kryeministrin. U ndjeva keq që isha me shpinë nga ai dhe bëra një lëvizje që t’i lija hapësirë që të afrohej, por ai nuk reagoi megjithëse e kuptoi gjestin tim.

Kryeministri mbajti të njëjtën distancë. Enver Hoxha, dy profesorët, unë dhe kryeredaktori i Zërit të Popullit  kishim krijuar një grup të shkëputur nga masa tjetër e njerëzve të ftuar, që qëndronin pas në hollin e muzeut. Ndoshta shpjegimet e dhëna nga historianët apo interesi i vetë Enver Hoxhës për këtë periudhë të jetës së kombit tonë, bënë që ai të qëndronte gjatë në këtë pavijon, të vetmin që vizitoi. Pas rreth 40 minutash qëndrimi këtu, Enver Hoxha u largua nga hyrja e pasme e muzeut. Pas tij u largua menjëherë edhe kryeministri Mehmet Shehu. Në krye të ceremonisë u vu Ramiz Alia, që e çoi deri në fund vizitën në këtë muze.

Sapo mbaroi vizita u ktheva në radio për të montuar kronikën. Me përjashtim të vizitës së Enver Hoxhës, pjesën tjetër të kronikës e kisha gati. Në redaksi dëgjova regjistrimin e bisedave të Enver Hoxhës me historianët dhe zbardha ato pjesë që m’u dukën më të përshtatshme. Kur kronika ishte gati, njoftova drejtorin të vinte për ta dëgjuar. Erdhi drejtori i përgjithshëm Çajup Rusmali së bashku me shefin e zyrës së shtypit në Komitetin Qendror, Dhimitër Tona. Nisi kronika dhe të gjithë po e dëgjonin në heshtje. Më në siklet se gjithkush isha unë, por edhe bashkëshortja ime Vjosa, që realizoi nga ana teknike. Kur mbaroi pjesa ku flitej për vizitën e Enver Hoxhës në muze, rreth katër minuta, dhe nisa të flisja për pavijonet e tjera, drejtori thirri të ndalohej magnetofoni. Vjosa shtypi butonin stop.

– Ç’është kjo?- tha i revoltuar drejtori, i çuar në këmbë. – Shoku Enver qëndroi 40 minuta në muze, kurse ti e ke katandisur në 4 minuta?!

– Po kjo është kronikë shoku Çajup,- iu përgjigja unë,- dhe në kronikë thuhen gjërat të përmbledhura, nuk thuhen fjalë për fjalë.

– Mos m’i trego mua ato,- këmbënguli drejtori akoma më i nervozuar.- Kjo kronikë nuk transmetohet kështu, bëje nga e para.

Nuk e di ç’pamje kisha në fytyrë, por një zjarrmi më kishte ndezur trupin dhe pasi i dhashë kurajë vetes i thashë prerë:

– Kjo kronikë nuk mund të bëhet ndryshe.

– Shko zbardhe bisedën e shokut Enver dhe fute të tërën në kronikë,- urdhëroi ai.

– Kështu si thoni ju kjo punë nuk mbaron as nesër,- i thashë.

– Do ta bësh,- këmbënguli përsëri drejtori.

– Kjo nuk bëhet shoku drejtor,- i thashë me një zë më të butë e miqësor.

Pas kësaj ai tha prerë: – Lëre magnetofonin. Je i pushuar.

Dola nga studioja dhe shkova e u ula në tavolinën time në redaksi. Isha tepër i tronditur dhe po merrja një ndëshkim të pamerituar. Qetësohesha për një moment kur mendoja se kisha të drejtë dhe se punën e kisha kryer ashtu siç duhej. Drejtori nuk kishte haber nga ajo punë megjithëse kishte disa vjet që drejtonte institucionin. Pas pak erdhi edhe ai në redaksinë, ku po qëndroja unë. U ul përballë meje dhe pa inat, por me seriozitet më tha: – Kronikën po e transmetojmë ashtu siç është sepse nuk kemi kohë, por do përgjigjesh ti!

– Dakord,- i thashë.

U ngrit dhe duke dalë me merakun që e mbante akoma mbërthyer tha që për orën tjetër të transmetimit të shtoja edhe ca pjesë ku flisja për Enver Hoxhën.

Pasi doli drejtori, hyri Agimi, i cili më tha të mos mërzitesha se kronika ishte e mirë dhe se ata i kishin mbushur mendjen atij të mos këmbëngulte më.

Kur u largua për herë të dytë Thanas Nanoja, në vend të tij erdhi Çajup Rusmali; askush nuk dinte gjë për të. Ndryshe nga paraardhësit e tij, çajupi, drejtori i ri nuk kishte haber nga specifika e punës në Radiotelevizion. Ai kishte punuar në godinën në krah të bulevardit. Godina më madhështore në kryeqytet, më hijerëndë, më e heshtur, më enigmatike. Edhe ata që hynin e dilnin në godinën e Komitetit Qendror dukeshin disi ndryshe dhe pa asnjë lidhje me jetën jashtë saj. Dyert dhe dritaret e saj qëndronin gjithnjë mbyllur dhe nuk kam parë asnjëherë se si hynin e si dilnin punonjësit. Të krijohej përshtypja se ajo godinë ishte bosh. Në tërë ato vite që punova në Radio Tirana nuk munda asnjëherë të hyja në të, as për shkak të detyrës sime.

Urdhrat e porositë që vinin që këtej, shkonin drejtpërdrejt te drejtori i përgjithshëm dhe ato materiale që duheshin transmetuar, çoheshin në mikrofon të plota dhe lexoheshin deri në fjalën e fundit, madje edhe data në fund të tekstit.

Edhe kur kishte interes nga Komiteti Qendror për të parë ndonjë kronikë me rëndësi, vinte ndonjë nga ata të zyrës së shtypit. Në fillim futej në zyrën e drejtorit, pastaj rëndë-rëndë vinte në studio për të dëgjuar kronikën që do të transmetohej.

Në përgjithësi nuk thoshin gjë. Kur nuk kishin vërejtje, thoshin nëpër dhëmbë “mirë” dhe dilnin të shoqëruar nga drejtori.

***

 

Më datë 1 nëntor 1981 u çel Kongresi VIII i Partisë së Punës të Shqipërisë në sallën e Teatrit të Operës. Në fasadë një portret i madh i Enver Hoxhës. Sipër në tarracë, me germa kapitale dhe të ndriçuara, shkruar “LAVDI PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË!”

Qysh në orët e para të mëngjesit në sheshin Skënderbej u grumbulluan mijëra punonjës nga ndërmarrjet e kryeqytetit si dhe grupe artistike që mbushën me muzikë e valle atmosferën entuziaste të kësaj dite. Delegatët  grupe-grupe hynin  në  sallë.  Në sfond të presidiumit të kongresit ishte vendosur një flamur i kuq me portretet e klasikëve të marksizëm-leninizmit: Marksit, Engelsit, Leninit dhe  Stalinit  dhe  poshtë  tyre  shkruar: “Kongresi VIII i PPSh-së.”

Si zakonisht hyrja e Enver Hoxhës dhe anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike u prit me ovacione të gjata saqë Enver Hoxha duke përshëndetur me dorë po përpiqej edhe të qetësonte sallën.

Kongresin e hapi veterani komunist i orëve të para Miha Lako, pensionist nga qyteti i Korçës. Në krahun e djathtë të tij qëndronte Enver Hoxha dhe në të majtë Mehmet Shehu. Vihej  re  shumë  seriozitet  në  këtë  kongres, mungesë komunikimi midis dy të mëdhenjve, që për asnjë çast nuk kthyen as kokën nga njëri-tjetri. Po i ndiqja herë pas here këto dy figura. Asnjëherë nuk u ulën pranë njëri-tjetrit, në çdo seancë midis tyre do të ndodhej dikush që drejtonte punimet.

Në një nga seancat që drejtoi Mehmet Shehu, nuk mori pjesë Enver Hoxha. Çfarë kishte ndodhur? Asgjë nuk dihej, por një vështrim i kujdesshëm bënte të kuptoje se mes tyre kishte mëri. Të ishte e çastit, do të ishte kaluar në një nga ditët e javës së kongresit. M’u ngulit mendimi se midis tyre kishte përplasje, një zënkë apo pakënaqësi për një mosmarrëveshje mes tyre. Deri këtu shkonte parashikimi im, duke i vështruar herë pas here që nga vendi në fund të sallës ku ishte vendosur shtypi. Vështroja dhe sillja në kujtesë evenimentet e ngjashme, kur ata të dy ishin gjithmonë bashkë dhe vazhdimisht komunikonin me njëri-tjetrin.

Në raportin që mbajti mbi direktivat e kongresit për planin pesëvjeçar të radhës, Mehmet Shehu ishte fare i ftohtë, me një lexim uniform pa entuziazmin e zakonshëm, i zbehtë në fytyrë saqë nga vendi ku ndodhesha më dukej si pajetë. Më pas mësova se televizioni ishte porositur të mos nxirrte me figurë bashkëshorten e tij, Fiqreten. Një nga kameramanët në sallë ishte treguar i shqetësuar përse nuk futej në transmetim nga regjia portreti i saj, kur ai e fiksonte në kamera. Porosia deri te regjisori kishte shkuar, të tjerët nuk duhet të dinin gjë. Serioziteti i këtij evenimenti politik fshihte dramën që kishte nisur të luhej në krye të shtetit. Entuziazmi i delegatëve ishte i dukshëm. Lidhjet e udhëheqjes së partisë me njerëzit e thjeshtë të punës shfaqeshin në çdo seancë. Pranë Enver Hoxhës uleshin punëtorë e kooperativistë të dalluar, ushtarakë e heronj të punës socialiste. Këta ishin më të nderuarit dhe për ta kjo ditë, ky moment do mbetej i paharrueshëm. Po kjo ishte njëra anë e medaljes, ajo që dukej. Ana tjetër nuk kishte filluar të shfaqej.

Heshtja dhe moskomunikimi mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, flisnin shumë. Diçka kishte ndodhur, por mbahej e fshehtë për të ruajtur atmosferën e kongresit, për të mos e prishur festën…

Intermexo

Në vitin 1948 Mehmet Shehu, atëherë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të  Ushtrisë u godit nga Partia  Komuniste jugosllave dhe mbështetësit e  saj në  Partinë  Komuniste shqiptare. Prapaskenat e krijuara e të drejtuara nga ministri i Brendshëm shqiptar Koçi Xoxe, arritën ta shkarkojnë nga detyra dhe ta dënojnë me arrest shtëpie në vendlindjen e tij, në fshatin Çorrush të Mallakastrës me policë te dera. Masa ndaj Mehmet Shehut ishte edhe një goditje për Mallakstrën. Ai ishte kthyer në simbol të kësaj krahine, prandaj shokë, miq e bashkëluftëtarë të shumtë nuk pajtoheshin me të.

Shkarkimi i Mehmet Shehut ishte bërë bisedë e ditës në atë kohë në çdo familje. I tërë opinioni në krahinë kërkonte jo vetëm sqarim, por edhe korrigjimin e kësaj mase. Lufta kishte vetëm katër vjet që kishte përfunduar dhe vatra e saj ishte ende e ngrohtë, luftëtarët e saj ende gjallë, të fortë e të gatshëm për një angazhim tjetër. Edhe besimi te udhëheqja e vendit, e dalë nga koj luftë, ishte e fortë.

Në këto rrethana, të shtyrë nga situata e paqartë, disa burra me autoritet në krahinë si Sulo Mustafaj, Musa Brahimi e Bajram Meçe nga Hekali, Hysen Zeqo nga Klosi, Refat Rexhepi nga Greshica e Azis Dule nga Fratari shkuan në Çorrush për të takuar e biseduar me Mehmet Shehun.

Ata qëndruan me të, në shtëpinë e tij, biseduan gjithë natën dhe i propozuan, nëse ai dëshironte, ata ishin gati të nisnin edhe një herë luftën për të mbrojtur pushtetin që po rrezikohej, pushtet i fituar edhe me gjakun e bijve të kësaj krahine. Mehmeti nuk i mbështeti për sa i propozuan, ai u shprehu besimin te Enver Hoxha, dhe u kishte thënë nëse situata do të rëndohej dhe kjo do të rrezikonte edhe vetë Enver Hoxhën, do të ngriheshin edhe një herë në luftë për të mbrojtur fitoren e arritur me sakrifica të mëdha. Ata burra të respektuar ishin larguar me besimin tek ai dhe në pritje e gatishmëri për çdo të papritur që mund të ndodhte.

Krahu pro jugosllav u mund dhe Mehmet Shehu u kthye në Tiranë me detyrën e ministrit të Brendshëm, duke qenë ashtu si në luftë një nga mbështetësit më të fortë të Enver Hoxhës, krahu i djathtë i tij, deri në këtë ditë, në këtë kongres të fundit për të, kur për asnjë çast nuk qëndroi pranë e nuk shkëmbeu asnjë fjalë e shikim me Enver Hoxhën. Kush mund ta imagjinonte se kjo mëri kishte filluar të numëronte edhe ditët e fundit të kryeministrit shqiptar?

***

Në mbrëmjen e 18 dhjetorit u ktheva në Tiranë pas një shërbimi në jug të vendit. Si çdo herë tjetër, së pari u ktheva te shtëpia e vjehrrës, që ndodhej jo larg shtëpisë sime mbasi kur mungoja unë, gruaja dhe fëmijët qëndronin më shumë tek ajo. Sapo hyra brenda vjehrra më doli përpara e më tha se do të me jepte një lajm të keq.

U trondita pa e dëgjuar se çdo më thoshte, sepse më shkoi menjëherë mendja tek im atë që ishte i moshuar, por vjehrra nuk vonoi të ma thoshte:

– Mehmet Shehu ka vrarë veten.

Paramendimi që pata se fatkeqësia lidhej me tim atë, e amortizoi disi dhimbjen apo keqardhjen që pata nga ky lajm. E përjetova shumë vdekjen e Mehmet Shehut. Për shkak të njohjes së thellë që kisha për figurën e tij, e me ato që më kishte thënë im atë, kisha krijuar njëfarë adhurimi për të. Shërbimet e shumta që kisha pasur në vendet dhe ngjarjet ku ai kishte qenë, e kishin forcuar simpatinë time. Gjatë gjithë asaj nate nuk më zuri gjumi. Më tepër mendoja se vdekja e tij në këtë mënyrë kishte të bënte jo vetëm me të, por me të gjithë ne. Se në ç’mënyrë, nuk e shpjegoja dot.

Në një përvjetor të politeknikumit 7 Nëntori në Tiranë, dikur shkolla teknike amerikane, ku ai kishte qenë nxënës, lavdëroi drejtorin e shkollës, Harry Fultzin, i cili mbi çdo gjë çmonte punën. “Puna e ka bërë Amerikën”, thoshte ai.

Kishte simpati për njerëzit e ditur dhe nuk i duronte injorantët e servilët. I urrente sjelljet naive te kushdo, por veçanërisht tek ata që kishte rreth vetes. Prona e përbashkët i dhimbsej shumë dhe e donte vendin dhe popullin e tij. Megjithëse kishte disa ndihmës për punën e tij, ai gjithçka e përgatiste vetë. Kujtimet e tij të luftës janë të shkruara bukur, si të ishte një shkrimtar. Prirjen e tij letrare e shprehu një ditë te klubi i gazetarëve shkrimtari Petro Marko, ku shkonte çdo ditë.

– Mehmeti,- tha ai,- po të mos ishte marrë me politikë, do ishte një shkrimtar i shquar, por ishte i prerë më shumë për ushtarak.

Mehmeti ishte mik i Petros, miqësi që lindi në Luftën e Spanjës dhe që zgjati deri në fund të jetës. Para se ta çonte për botim çdo vepër, Petroja ia dërgonte Mehmet Shehut për ta lexuar. Në një nga bisedat në klubin e gazetarëve, ku më pëlqente të shkoja shpesh për të dëgjuar të madhin e të thjeshtin Petro Marko, ai kujtoi një nga ngjarjet e vështira të jetës së tij.

– Sapo kisha dalë nga burgu,- tregoi ai.- Ishte viti 1950. Me ndihmën e Sterjo Spasses dhe Spiro Xhait, që punonin në Ministrinë e Arsimit fillova punë si korrektor letrar në shtëpinë botuese Naim Frashëri, por edhe aty pas njëfarë kohe më pushuan me arsyen shkurtim organike. Ngela përsëri pa punë, që do të thoshte pa bukë. Vendosa t’i shkruaja një letër Mehmet Shehut, që ishte ministër i Brendshëm. Me letrën në dorë më gjeti para hyrjes së ministrisë, Mihallaq Ziçishti, zëvendësministër. Kur më pa, ndaloi dhe më pyeti se ç’nevojë kisha. I thashë se kisha një letër për shkëlqesinë e tij, Mehmet Shehun.

– Pse i thua shkëlqesi?- më tha ai.- Ti e ke shok. Ma jep mua,- tha se po ia jap qysh tani.

– Në letër,- tregonte Petroja,- i kërkoja të më ndihmonte për një vend pune. Të nesërmen në kasollen ku jetoja erdhi një person e më tha të shkoja me të se më kërkonte Mehmet Shehu. Kur hyra në zyrën e tij Mehmeti u ngrit në këmbë dhe më përqafoi.

– Ku je mor i uruar?- më tha.- Po ti sapo dole nga burgu të kishte ardhur tek unë.

E  preku  ky  takim, por edhe  pamja ime e  mjeruar. Qëndruam bashkë mbi një orë. Pas disa ditësh fillova punë mësues në shkollën pedagogjike.

– Mehmetit ia di për nder edhe për ndihmën që më ka dhënë në botimin e librave të mi, për të cilët gjendej gjithmonë diçka për të mos u botuar.

***

Në mëngjes shkova në redaksi. Duke qenë nga e njëjta krahinë me kryeministrin e vdekur dhe të dënuar jo për krimin ndaj vetes, por për diçka që akoma që nuk ishte thënë, më dukej se të gjithë përgjonin sjelljen time. Nuk po qëndroja dot. Heshtja që zotëronte në redaksi ishte më e rëndë. Dola dhe pa i thënë askujt u nisa për në shtëpi. Pa vetëdije mora rrugën që lidh Radiotelevizionin me bulevardin e madh. Lloj-lloj mendimesh më vinin në kokë. Përse po e përjetoja kaq shumë vdekjen e tij? Unë nuk kisha ndonjë njohje personale me të as kisha përfituar gjë prej tij. Ndoshta mund të më ndodhte diçka, largim nga institucioni ku punoja vetëm për faktin se isha nga e njëjta krahinë me kryeministrin. Të tilla raste kishte pasur mjaft në këtë institucion. Ecja dhe përpiqesha të kujtoja nëse kisha folur për të dhe sa me pasion i kisha treguar ngjarjet që lidheshin me jetën e kryeministrit tashmë të dënuar.

Nuk mund të mendoja ndryshe, kur për vdekjen e tij u dha një lajm i thjeshtë në televizion dhe radio e më pas lajmet vazhduan si në një ditë të zakonshme. Asnjë njoftim për ceremoni mortore apo për ndonjë ditë zie. Ajo që pashë gjatë punimeve të kongresit një muaj e ca më parë, ftohtësia midis tij dhe Enver Hoxhës, mëria e mbajtur fshehtë, por që gjithsesi ra në sy, ja ku përfundoi.

Kur kisha mbërritur afër bulevardit me çadrën që lëshonte anash rrëke shiu, u përballa me Muçin, kushëririn tim. Duke menduar se mos po shkoja drejt shtëpisë ku brenda ishte akoma kufoma e të ndjerit më tha me shumë merak që të mos ndaloja dhe të vazhdoja rrugën përgjatë bulevardit. I thashë se po shkoja në shtëpi dhe kaq. Ai u kthye te grupi punonjësve të shërbimit që qëndronin në trotuar në anë të bulevardit. Kur mora kthesën për të shkuar drejt sheshit Skënderbej ktheva edhe një herë kokën nga shtëpia ku pashë të nxirrnin nga portat anësore një arkivol. Shiu vazhdonte të binte me rrebesh shoqëruar me rrufe e bubullima. Rrugët ishin pothuajse të zbrazëta. Qyteti dukej si i braktisur…

CIA: Ja kush ishin shqiptarët që i dolën kundër Hoxhës dhe roli që kishte Liri Belishova në krye të propagandës

CIA ka pasur një listë të qartë me të gjithë ata qytetarë që ishin kundër regjimit komunist në Shqipëri. Në një dokument të deklasifikuar, është treguar me detaje se kush kanë qenë anëtarët e Bllokut Kombëtar Indipendent, që punonte kundër Hoxhës. Ndërkohë jepen detaje dhe se si funksiononte aksioni i propagandës dhe roli që kishte Liri Belishova.

15 shtator 1949

Blloku Kombëtar Indipendent, platforma e objektivave dhe liderët kryesorë

Blloku Kombëtar Indipendent (BKI) e bazon programin e tij politik në dy qëllime kryesore: Të përdorë të gjitha mjetet për të çliruar Shqipërinë nga zgjedha sovjetike dhe të aftësojë popullin shqiptar që të zgjedhë vetë qeverisjen e tij. Me sa kuptohet BKI është një organizatë politike me natyrë të përkohshme, por aq sa dhe grupet e tij përbërëse bashkohen vetëm nga përpjekja kundër regjimit aktual komunist në vend. Rreth tre vjet aktivitetet i përbashkët i ka sjellë tashmë mjaft afër liderët kryesorë të BKI, prandaj mund të supozohet se pasi vendi të çlirohet nga tirania e kuqe, kjo organizatë mund të sjellë një qeveri të bashkuar sipas linjës Perëndimore, duke mbrojtur reformat sociale sipas nevojave të vendit dhe traditave më të mira të popullit. Komunizmi në Shqipëri ka natyrë racore dhe jo sociale, që do të thotë se ai shërben si një kamuflazh për imperializmin sovjetik apo dominimin sllav. Rreziku fatal i dominimit mbarë-evropian sllav, qoftë në formën e carizmit apo bolshevizmit, mbetet gjithmonë e njëjtë për kombin e vogël shqiptar. Vetë Partia Komuniste shqiptare u krijua nga dy agjentët sllavë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç, të cilët vetëm sa përgatitën terrenin për infiltrimin e gjerë sovjetik. Balli Kombëtar Indipendent përfshin shumicën e emigrantëve shqiptarë të cilët prej lidhjeve familjare, bindjeve politike apo kulturore, janë armiq të betuar të regjimit komunist, si në teori dhe në praktikë. Çfarëdo opinioni që mund të shprehin kundërshtarët e BKI si me dashamirësi apo armiqësi, ata nuk mund të mohojnë natyrën e theksuar antikomuniste të grupeve shqiptare të emigracionit. Kompromiset që është dashur të bëjë dhe shifrat e mëdha të anëtarësisë së BKI janë nxitur vetëm nga rreziku sllav për Shqipërinë. Populli shqiptar është i vogël në numër për t’u mbrojtur i vetëm, dhe gjatë shekujve gjithmonë i është dashur të zgjedhë të keqen më të vogël. Sot liderët e BKI janë të bindur se kërcënimi për shpirjen e Shqipërisë vjen nga Lindja, dhe shikojmë me shpresë nga Amerika, e cila mund të na sigurojë një ekzistencë paqësore në një atmosferë të civilizuar. BKI është akuzuar se ka në përbërjen e tij individë autoritarë apo mbeturina të feudalizmit, por kjo akuzë është e pabazë pasi në përbërjen e BKI ka aq shumë intelektualë dhe përfaqësues të familjeve historike shqiptare, të cilët duhet të ishin në komitetin qendror të qeverisë si për nga kultura dhe fisnikëria. Ky grup është i mbushur me frymën e sinqertë demokratike dhe kjo demonstrohet në programin e BKI për zgjedhjen e lirë të popullit për qeverisjen e ardhshme. Qëndresa heroike ndaj komunizmit sovjetik në Shqipëri nga viti 1944 deri më sot, është puna e bijve e vëllezërve të BKI. Celulat e shumta të partizanëve antikomunistë që strehohen në malet e Shqipërisë kanë për drejtues liderët e BKI. Por për të evituar hakmarrjet e përgjakshme të qeverisë ndaj popullatave të fshatrave që i kanë ushqyer me bukë, këta gueriles nacionalistë kanë qëndruar në heshtje për pak kohë, duke pritur kohën e përshtatshme për veprim. Të gjithë anëtarët e BKI kanë ndjekësit e tyre të burgosur në Shqipëri, që po persekutohen si anti-komunistë. BKI me anë të përfaqësuesve të tre feve në Shqipëri, gëzon vlerësimin e figurave të larta në Vatikan, veçanërisht prej qasjes së moderuar të anëtarëve të saj dhe qetësisë që i karakterizon aktivitetin politik.

Përbërja

Përveç presidentit të BKI, Ismail Vërlaci, figura të tjera të mëdha të lëvizjes janë: Gjon Marka Gjoni, lider i vjetër i katolikëve shqiptarë, anëtar i familjes së vjetër Gjon Marjak, princ të Mirditës dhe ruajtës të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Përfaqësues të familjes Gjon Markaj kanë qenë kumbarë të Napoleonit të I e të III, të cilët kanë dërguar zyrtarë në pagëzimet e tyre. Influenca e princ Mark Gjonit në popullin e Mirditës ka qenë e madhe dhe është rritur më shumë pas humbjes së dy bijve të tij Marko dhe Aleksandër, të vrarë nga forcat e kuqe barbare, i pari në qershor 1947 dhe tjetri në 1949. Të dy ata janë sot objekt këngësh të lavdishme në zonat malore.

Të tjerë liderë përmendim: Ndue Marka Gjoni, bir i Gjonit që është tashmë me të në Romë. Dr. Ekrem Vlora, mysliman njeri i letrave, ish senator dhe përfaqësues i Shqipërisë në Athinë e Londër. Spiro Sheko nga Korça, anëtar i besimit grek ortodoks nga familje e madhe tregtare që zotëron financa të mëdha në Itali dhe ndihmon BKI. Profesor Ernest Koliqi, poet, katolik nga Shkodra, autor dhe profesor universiteti. Profesor Namik Resuli, mysliman nga Fieri, njeri i letrave dhe profesor universiteti. Profesor Ndue Paluca, katolik nga rajoni i Shkodrës, figurë e rëndësishme në fushën e arsimit në Shqipëri. Profesor Karl Gurakuqi, katolik nga Shkodra, njeri i letrave dhe profesor universiteti. Profesor Athanas Gegaj, katolik nga Malësia e Madhe, njeri i letrave dhe historian. Profesor Stefan Gazulli, katolik nga Zadrima, vëllai i të cili ishte prift, autor i fjalorit shqip, i ekzekutuar nga komunistët. Ago Agaj, mysliman nga Vlora, ish-ministër. Vasal Allarupi, ortodoks nga Korça, gazetar. Dr. Eduard Liko, mysliman nga Korça, gazetar dhe botues i “L’Albanie Libre”. Dr. Ali Vrioni, mysliman, anëtar i familjes Vrioni në Berat, gazetar e ish-diplomat. Tahir Kolgjini, mysliman nga Luma ish-prefekt. Vehib Runa, mysliman me influencë nga Labëria (Gjirokastër). Nexhmedin Koraliu, mysliman nga Tirana, me origjinë nga familje aristokrate e Egjiptit. Lin Shkreli, katolik nga Shkodra, president i shoqatës së profesorëve universitarë. Dr. Gligor Buzi, ortodoks nga Permeti, gazetar dhe përfaqësues i BKI në Shtetet e Bashkuara. Enver Resilia, mysliman i njohur nga rajon i Vlorës. Pandeli Papalilo, ortodoks nga Përmeti, zyrtar i sigurisë publike. Kolonel Luigj Gargjola, katolik nga Shkodra. Major Safa Vlora nga Vlora. Major Alush Lleshanaku, mysliman nga Elbasani. Kapiten Mahmut Çela, mysliman nga Dibra. Kapiten Gjergji Ruco ortodoks nga Kolonja. Kapiten Xhevdet Blloshmi, mysliman nga Elbasani. Lejtnant Mubarek Toptani, mysliman nga Tirana.

Shtator 1955

Shtypi në Shqipëri përfaqëson pikëpamjet e partisë dhe të liderëve të veçantë, sipas mënyrës së orientimit të propagandës. Edhe vetë anëtarët e Byrosë Politike duhet të dorëzojnë paraprakisht artikujt e tyre për shtyp te Liri Belishova, sekretarja e përgjithshme e agjitacion-propagandës në Komitetin Qendror të Partisë, siç ndodh me të gjitha materialet e tjera për shtyp. Organi kryesor i propagandës është “Zëri i Popullit” i cili printohet në 7000 kopje dhe shitet për pesë lek secila. Ndërsa lajmet e agjencive të tjera shpërndahen në mënyrën e mëposhtme: Publikimet e agjencive ruse apo të vendeve satelite transmetohen tre herë në ditë në buletinët e verdhë të shtypit, që konsiderohen sekret dhe shpërndahen vetëm te anëtarët e komitetit qendror të partisë dhe ministrat. Lajmet e agjencive perëndimore që kanë lidhje me çështjet shqiptare përmblidhen në një buletin sekret që shpërndahet vetëm për disa liderë të caktuar. Media shqiptare e propagandës e merr orientimin e saj nga agjencia sovjetike e lajmeve Tass, e cila jep editorialet nga e përditshmja ruse Pravda, si dhe nga lajmet ndërkombëtare. Çështjet ruse nuk trajtohen gjerësisht në median shqiptare. Artikujt rusë të publikuar në Shqipëri janë përkthime të gazetave dhe nëse ato trajtojnë për shembull çështje pa interes si ndonjë ulje çmimesh në Bashkimin Sovjetik, kryeredaktorët shqiptari thonë gazetarit të shtojë diçka propagandistike si për shembull, rritje e një çmimi të caktuar në vendet perëndimore. Gazetarët zakonisht i kërkojnë anëtarëve të delegacioneve (kulturore, të punës apo të grave) që kanë qenë në BRSS të shkruajnë artikuj mbi vizitën e tyre, të cilat redaktohen më pas nga gazetarët dhe redaktorët. Çdo artikull i Zërit të Popullit mbi lideshipin kolektiv komunist, është botuar paraprakisht nga Pravda apo gazeta të tjera të vendeve komuniste satelite. Organet e medias shqiptare gjithmonë i kanë paraprirë ndryshimeve politike apo të opinionit mbi ngjarje të rëndësishme. Kështu hapi i parë i medias vendase para ndryshimit të politikave me Jugosllavinë, ishte heshtje totale dhe më pas një artikull që përshkruante vizitën e liderëve jugosllavë në varrin e Ushtarit të Panjohur Sovjetik në Beograd. Disa ditë më vonë u shfaq një artikull në lidhje me suksesin e Jugosllavisë në plotësimin e planit bujqësor. Çdo shqiptar vigjilent e kuptoi se asnjë nuk kishte të bënte me planet bujqësore të Jugosllavisë, aq më tepër kur ajo është vend armik.

Procedurat

Nuk duket se ka në koordinim të mirëfilltë mes propagandistëve të radios dhe gazetarëve e redaktorëve të shtypit në Shqipëri. Por uniformiteti i medias në përgjithësi sigurohet nga direktivat e orientimit që kalohen nga zyrtarët e Liri Belishovës, Fadil Pacrami i Zërit të Popullit, deh Nexhmije Hoxha, drejtore e agjitacion-propagandës. Nganjëherë Radio-Tirana i kërkon artikuj Zërit të Popullit por kjo ndodh në mënyrë individuale mes punonjësve. Zakonisht ka vetëm në person që drejton sektorin e lajmeve të jashtme dhe të transmetimet e huaja janë të njëjta në të gjitha gjuhët, si për lajmet shqiptare dhe ato ndërkombëtare. Lajmet për një vend të caktuar mund të kenë disa njoftime për vendin në fjalë që nuk transmetohen në gjuhë të tjera. Kryeredaktorët e gazetave nuk kanë autonomi. Rreth 80 për qind e përmbajtjes së Zërit të Popullit mbushet me planet mujore dhe javore dhe kryeredaktori i organit është në kontakt të vazhdueshëm me Liri Belishovën për interpretimin e ngjarjeve të rëndësishme. Ndërsa artistët dhe intelektualët gëzojnë njëfarë pavarësie, shkrimet e të cilëve redaktohen vetëm për stilin dhe formën dhe jo për përmbajtjen. Normalisht, direktivat e lëshuara nga Liri Belishova i lexohen stafit në redaksinë e Zërit të Popullit nga kryeredaktori Pacrami, dhe secili redaktorët mban shënime për fushën e tij. Direktivat përfshijnë atë që gazetarët duhet të bëjnë dhe subjektet që duhet të mbulojnë. Artikujt e shtypit sovjetik, veçanërisht të Pravda, konsiderohen si modele për shtypin shqiptar. Shpeshherë orientimi për një subjekt të caktuar justifikohet me shprehjen “me direktivë nga lart”, që do të thotë nga Liri Belishova por pa i përmendur emrin. E vetmja gazetë që botohet jashtë Tiranës është e përjavshmja Tribuna Popullore në Gjirokastër. Rreth 80 për qind e materialeve të transmetuara nga Radio Tirana i përkasin planeve mujore dhe javore të prodhimit. Ndërsa seksioni i lajmeve nga jashtë udhëhiqet nga ato që publikon agjencia Tass. Vetëm një seksion është përgjegjës për të gjitha transmetimet në gjuhët e huaja, mes të cilave ka vetëm ndryshime të vogla. Në lajmet shqiptare ashtu si në të gjithë bllokun sovjetik, ngrihet lart fuqia e ushtrisë sovjetike dhe aleatëve të saj. Ato asnjëherë nuk përmendin fuqinë e Shteteve të Bashkuara apo vendeve të tjera Perëndimore, por sulmojnë ndërtimin e bazave të tyre jashtë vendit. Linja e këtij subjekti është e njëjtë dhe gazetarët shqiptarë nuk kanë nevojë për instruksione specifike.

Gazetarët propagandistë shqiptarë kanë hasur disa vështirësi në trajtimin e çështjes së Paktit të Ballkanit, pasi problemi ishte në të treguarit se Jugosllavia ende ruan pretendime hegjemonie ndaj Shqipërisë, por pa shkaktuar panik. Më me rëndësi në mediat shqiptare janë editorialet e Zërit të Popullit. Rreth 60 për qind e tyre shkruhen nga gazetarët por shpeshherë editoriale të veçantë për çështje të rëndësishme bujqësore, shëndetësore apo ekonomike shkruhen nga ministrat e dikastereve përkatëse. Në diskutimet për shtypin shqiptar përdoret shpesh fjala “sinjal” në lidhje me treguesin e parë të një mase, zakonisht represive të qeverisë. Për shembull, pas plenumit të 8-të të partisë në 1948, një artikull në të përditshmen Bashkimi, asokohe më e madhja në vend, nisi një kritikë ndaj intelektualëve, e cila u pranua si “sinjal” nga Koçi Xoxe për të sulmuar intelektualët e vendit, përfshi dhe Hoxhën. Ndërsa në vitin 1954 një artikull pa emër flitej për përqendrimin e pushtetit në duart e një njeriu, i cili u konsiderua nga ekspertët si “sinjali” për kalimin në udhëheqjen kolektive. Ndërsa “sinjali” për reformat ekonomike të vitit 1953, erdhi nga shtypi sovjetik. Zakonisht, numri i artikujve apo editorialëve mbi një subjekt të caktuar gjatë një periudhe, tregon për rëndësinë që po i kushton udhëheqja kësaj çështjeje. Dhe vetë pozicionimi i lajmeve në faqen e gazetës tregon për rëndësinë specifike të fushave, si për shembull vendosja e lajmit të industrisë mbi atë të bujqësisë, ose anasjelltas. Nga viti 1948 deri në 1952 ka pasur më shumë artikuj anti-jugosllavë në shtypin shqiptar sesa në atë sovjetik. Propaganda e Shqipërisë nuk censurohet nga ekspertët sovjetikë pasi është aq pranë linjës ruse saqë nuk është nevoja.

 

19 mars 1963

Situate aktuale në Shqipëri dhe politikat e SHBA

Gjatë pesëmbëdhjetë muajve që prej prishjes së lidhjeve diplomatike, partiake dhe tregtare me BRSS, kreu i regjimit në Shqipëri, Enver Hoxha dhe kryeministri Mehmet Shehu kanë ruajtur pozita të qëndrueshme. Ka pasur përkeqësim të gjendjes ekonomike por deri tani nuk është serioze. Ka pasur rënie të rritjes ekonomike por jo rënie të theksuara të prodhimit. Standardet e jetesës janë ruajtur disi me asistencën e Kinës komuniste. Megjithëse të dhënat janë të fragmentuara ne besojmë se asistenca kineze po vazhdon dhe lidhjet mes dy vendeve aleate duken të ndërthurura mirë. Sjellja e Shqipërisë është e rëndësishme pasi SHBA e konsideron atë një element të rëndësishëm për të trazuar lidhjet mes Kinës dhe BRSS. Prova më e mirë për stabilitetin e regjimit Hoxha-Shehu është aftësia e tyre për të qëndruar në pushtet edhe pas sfidës së hapur ndaj BRSS. Aparati i tyre shtetëror duket i padepërtueshëm ndaj tentativave sovjetike apo jugosllave të subversionit. Tentativa e fundit e sovjetikëve kundër regjimit të Shqipërisë ishte në verën e vitit 1960, shumë përpara kulmit të konfliktit shqiptaro-sovjetik. Kjo duket se ka çuar në zhdukjen e anëtares së byrosë politike Liri Belishova dhe kreut të Komisioni të Kontrollit, Koço Tashko, në shtator të atij viti.

Në të njëjtën kohë ka prova se disa shqiptarë, intelektualë, ushtarakë apo nga ata që kanë studiuar në vendet e Bllokut Sovjetik, kundërshtojnë linjat pro-kineze dhe anti-sovjetike të qeverisë. Kjo ka bërë një pjesë e tyre, si të radhëve të ulëta të partisë deh të rangut të lartë, të spastroheshin nga regjimi që në muajt e parë të prishjes me BRSS. Ne dyshojmë se këto spastrime kanë eliminuar të gjithë ata që mund të quheshin pro-sovjetikë, por besojmë se presioni dhe frika ka bërë që edhe të mbeturit të mos kenë më influencë dhe të jetë të shtypur dhe të izoluar. Populli shqiptar është i pakënaqur me gjendjen e tij ekonomike dhe politike. Por lindja e debatit me sovjetikët dhe rinisja e izolimit të vendit nuk duket se po fuqizojnë apo shtojnë aktivitetin opozitar. Thirrjet e qeverisë për nacionalizëm pas prishjes me BRSS funksionuar duke shtuar disi mbështetjen, por tashmë po humbasin efektin. Regjimi ka parandaluar përhapjen e pakënaqësive duke ruajtur një sasi mallrash konsumi,si ushqim dhe veshje, të përshtatshme sipas standardeve shqiptare. Disa aktivitete guerile të gradës së ulët janë evidentuar në zonat jugore, por është e vështirë të vlerësohet masa e tyre apo nëse janë të huaja apo të brendshme. Gjithsesi regjimi ka kontroll të fortë mbi vendin me anë të ushtrisë dhe terrorit të Sigurimit, i cili ka luajtur rolin kryesor gjatë 18 vjetëve të fundit në shtypjen e çdo opozicioni ndaj regjimit.

Roli i Kinës

Standardet e jetesës në Shqipëri kanë qenë gjithmonë të ulëta dhe nuk është kërkuar një masë e madhe mallrash konsumi nga Kina apo financime për drithëra. Por gjithsesi ndihma kineze nuk ka plotësuar pritshmëritë e udhëheqjes shqiptare. Ndërsa stafi teknik kinez në Shqipëri ka kryer lëvizje të shumta prej vjeshtës së shkuar. Informacionet janë të pakta mbi arsyet e lëvizjeve por besohet se specialistët mund të kenë qenë aty për studime paraprake, që tashmë mund të jenë kompletuar. Ndihma kineze nuk ka arritur të ruajë vrullin e ekonomisë shqiptare, siç parashikohej në planin shqiptar të zhvillimit, prandaj vendi u detyrua të ulë pritshmëritë e programit. Në fund të vitit të shkuar qeveria njoftoi për kompletimin e punës në të paktën 16 nga 25 projektet industriale të premtuara nga Kina në marrëveshjen e viteve 1961-1965. Kjo mund të sjellë një prishje të mundshme të lidhjeve edhe mes Kinës e Shqipërisë, prandaj ne nxisim të gjitha vendet perëndimore të qëndrojnë të gatshme për ndonjë hapje të mundshme të Shqipërisë apo kontakte me vendet e Perëndimit, për të reduktuar varësinë nga Kina.

Isa Boletini – gazetarit të Daily Telegraph (1913): “Gjithë jetën time, deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët, grekët, malazezët, italianët, austriakët.”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Shtator 2017

Gazeta franceze, “Journal des débats politiques”, ka botuar, të mërkurën e 7 majit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me intervistën e patriotit shqiptar, Isa Boletini, dhënë në Londër për prestigjozen “Daily Telegraph”.

Si e përshkruanin perëndimorët atdhetarin shqiptar ? Çfarë ka shprehur ai për median britanike ? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

Isa Boletini dhe problemi shqiptar

Isa Boletini, patrioti shqiptar, armiku i betuar i serbëve dhe grekëve, dhe nesër, nëse është e nevojshme, kundërshtari i pamëshirshëm i një ndërhyrje austro-italiane në vendin e tij, ndodhet në këtë moment në Londër.

Një gazetar i Daily Telegraph ka bërë me të një intervistë interesante; Isa Boletini vë në dukje meritat e ish-regjimit turk. Abdul Hamidi i vlerësonte shqiptarët. Në vitin 1902, ai e thirri Isa Boletinin në Konstandinopojë dhe e vendosi atë në krye të gardës së tij duke i vënë titullin Bej. Isa Boletini qëndroi në Kostandinopojë për katër vjet dhe pastaj u kthye në Shqipëri. Ai jetonte që prej tre vitesh në afërsi të Mitrovicës, kur filloi Revolucioni Xhonturk.

Shqiptarët në 1908 kërkuan “Kushtetutën”, por Isa Boletini, që nga ai moment, u tregua i shqetësuar. Xhonturqit, të vetëdijshëm për ndjenjat e atij lideri, kërkuan ta shtypnin atë. Xhavit Pasha e sulmoi atë papritur me trupat që kishte në dispozicionin e tij. Por Isa Boletini mundi të shpëtojë, megjithëse me një dëmtim të rëndë në shpatull. I larguar nga Mitrovica, Isa Boletini u tërhoq në Pejë, dhe më pas u strehua pranë Malësorëve të Gjakovës.

Atje, ai organizoi një rezistencë serioze. U zhvilluan luftime ku turqit u rrahën. Ngjarjet e pranverës së vitit 1909 detyruan kthimin e trupave turke në Konstandinopojë, por vitin e ardhshëm një ushtri turke u kthye në Shqipëri për të dënuar rebelët. Isa Boletini, i mundur në Kaçanik, në vend se të dorëzohej, u strehua në Mal të Zi.

Një vit më pas, në krye të trupave të tij, Isa Boletini hyri në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Shkup : “Kështu, unë kisha arritur qëllimin e përpjekjeve të mia, ekzistencën e Shqipërisë, e kërcënuar nga xhonturqit. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Ahmet Muhtar Pashën kur shpërtheu lufta aleatëve.”

Isa Boletini gjendet aktualisht në Londër për të mbrojtur çështjen e pavarësisë së Shqipërisë pranë Fuqive të Mëdha. Isa Boletini nuk i pranon kufijtë e vendosur për Shqipërinë nga Konferenca e Londrës. Shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë sundimin serb. Ata nuk e pranojnë parimin e hekurudhës komerciale (tregtare) që i është dhënë Serbisë : “Gjithë jetën time, deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët, grekët, malazezët, italianët, austriakët.”

Duke thënë këtë, shefi patriot shqiptar shfaqte një agjitacion dhe ekzaltim ekstrem.

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/isa-boletini-gazetarit-te-daily-telegraph-1913-gjithe-jeten-time-deri-ne-%C3%A7lirim-apo-ne-vdekje-une-do-te-luftoj-serbet-greket-malazezet-italianet-austriaket/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.