“Beqari më i kërkuar”, “duhanpirësi më i madh” me 2 mijë kostume, çfarë shkruanin mediat britanike për Mbretin Zog
Kufiri mes Shqipërisë dhe Malit të Zi u shndërrua në një ‘skenë krimi’ gjatë viteve ’89-’90, kur shteti komunist shqiptar vrau dhjetra qytetarë që tentuan të arratiseshin nga vendi, vrasje që ashtu si mijëra krime të tjera të diktaturës mbeten ende sot pa drejtësi.
Nga Admirina Peçi
Lumi Buna rrjedh i qetë pas shelgjishteve, pak metra larg varrezës katolike në Shënkoll, një fshat kufitar, rreth 15 kilometra larg qendrës së Ulqinit.
Më 19 dhjetor 1990, ky vend u bë skena një krimi shtetëror.
Rojet kufitare të Shqipërisë vranë në errësirë 5 persona, Pal Palna, Zade Palna, Ernest Daragjati, Olsi Lorja dhe Liljana Palna, një vajzë 11 vjeç, e cila ra nga varka dhe u zhduk në ujërat e lumit Buna.
Ata ishin mes një grupi, pjesa më e madhe me lidhje familjare, që po tentonin të arratiseshin nga Shqipëria komuniste.
I afërmi i familjes Palna, Gjergj Ashta, rindërton skenën e asaj nate nga kujtimet e atyre që mbetën gjallë.
Sipas tij, në varkë kanë qenë 8 ose 10 vetë. Janë vrarë 4, Pali, Zadja (nëna e Palit), Liljana vajza e Palit dhe kunati i tij Ernest Daragjati. Në një lundër tjetër që kanë qenë bashkë me këta është vrarë Olsi Lorja.
“Të gjithë ata kanë ardhur nga zona e Daragjatit e Shkodrës, kanë hyrë në Bunë me lundra dhe pas pak minutash janë përballur me forcat e policisë shqiptare dhe janë vra. Një pjesë janë vrarë dhe një pjesë i ka kapur ushtria e Malit të Zi dhe i kanë çuar në kamp”- thotë Ashta për Kujto.al.
Ngjarja nuk tronditi vetëm Shkodrën, por dhe fshatin e vogël të Shën Kollit matanë kufirit në Mal të Zi.
Anton Hoti, banor i Shën Kollit, e ka akoma të freskët në kujtesë.
“I kanë vra atje dikund në pentar. I kanë vrarë dhe i kanë masakruar. Thonin madje që njërit ia kishin prerë gjysmën e kokës me fletët e motobarkës”- rikujton ai ndodhinë e 36 vite më parë, kur trupat e të vrarëve u sollën për tu varrosur në fshatin e tij.
Krimet e regjimit komunist të udhëhequr nga Enver Hoxha e pas vdekjes së tij nga Ramiz Alia mbeten të padënuar ende sot. Një raport i datës 20 nëntor 1990 i firmosur nga ish-ministri i Brendshëm i kohës Hekuran Isai zbulon përmasat e vrasjeve në kufinjtë e Shqipërisë, që ishin shndërruar në muret e një burgu të madh.
“Nga viti 1944 deri në vitin 1990 janë arratisur nëpërmjet kufirit shqiptar 9220 persona dhe 4472 të afëm të tyre, gra e femijë, prej të cilëve 988 kanë vdekur”- thuhet ndër të tjera në dokumentin arkivor.
Në mungesë të statistikave zyrtare të sakta, të dhënat e përpunuara nga Instituti i Studimeve Politike tregojnë se numri më i lartë i vrasjeve në kufi u shënua në kohën kur regjimi komunist ishte në grahmat e fundit.
“Numri më i lartë i vrasjeve ndodhi në dhjetor 1990 me 12 raste, i ndjekur nga Qershor ‘90 me 9 raste, Maji me 8 raste, Gushti dhe Nëntori me nga 5 raste secili, etj.”- thuhet në një studim të kësaj organizate.
Dëshmi e gjallë e këtyre krimeve është parcela e varreve në varrezën e Shën Kollit e përdorur nga për të varrosur shqiptarët që vriteshin në kufirin me Malin e Zi.
Vrasjet në kufi ende sot të padënuara
Pak kilometra larg varrezës së Shën Kollit, në një pikë të plazhit të Velipojës në Shkodër, me 18 maj 1990, dy vëllezër Gjekë dhe Vatë Beqi, ishin nisur për të kaluar me not, kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të zi, duke synuar ishullin Ada në grykëderdhjen e Bunës.
Një fjalim publik i presidentit komunist Ramiz Alia më 7 maj të atij viti, ku njoftoi se shkelja e kufirit nuk do të ishte më vepër penale “tradhëti e lartë ndaj Atdheut” dhe nuk dënohej me vrasje, i kishte inkurajuar ata, siç u inkurajuan mijëra të tjerë që tentuan largimin në kapërcyell të rrëzimit të regjimit komunist.
Pasi ishin pikasur në errësirë nga prozhektorët e rojës kufitare, ndaj dy vëllezërve ishte zbrazur një breshëri automatiku. Gjekë Beqi, njëri prej dy vellëzërve, tregon ngjarjen e asaj nate, ku vetë mbeti i plagosur rëndë me një plumb që i përshkroi nofullën, ndërsa vëllanë ia vran.
“Komandanti një njeri mizor, sadist, na vrau kot. Ai sapo u afrua me skaf ka qëlluar. Jam plagosur unë. Jam fundosur në ujë. Më ka nxjerrë lart vëllai. Vëllai ju ka thënë; ‘që jemi vendas këtu’ e ka tentuar të bisedojë me ta. ‘Mbaje, mbaje’,- i kanë thënë mos të mbytet se, ‘ty do të të vrasim sa të dalësh në breg’. Dhe e ka vrarë vëllain në breg vërtet” – tregon ai për Kujto.al duke rikujtuar natën më të errët të jetës së tij.
Nëna e Vatë Beqit, 92 vjeç, që jeton pak kilometra larg vendit ku iu qëlluan të bijtë, pret ende drejtësinë për vrasjen e Vatës, atëkohë vetëm 25 vjeç, por si besimtare e krishterë ajo thotë se ia ka lënë drejtësinë Zotit.
“Zoti nuk ka thënë me vra, ka thënë me fal. Ai të mos fshihet. Nuk duhej ta vriste, e ka vra…nuk duhej ta vriste se me 7 maj, tha Ramiz Alia kufiri është i lirë. Unë s’them që të vrasim, se jam me këtë”- thotë ajo duke treguar kryqin që mban në qafë.
Personi që qëlloi me gjakftohtësi mbi të birin quhej Bino Binaj me detyrë Komandat i Postës Kufitare të Velipojës.
Në mes të viteve ‘90 Gjekë Beqi nisi betejën e tij ligjore duke shënuar një nga rastet e pakta kur gjykatat shqiptare dhanë një vendim për krimet e regjimit totalitar gati gjysëmshekullor.
“Kur kam dalë nga burgu, kam dalë i traumatizuar dhe ndoshta më ka shkuar mendja edhe për vetgjyqësi. Por babai im thoshte jo. Të ka vrarë shteti, ndiqe në rrugë shtetorore. Dhe e kam paditur brenda rregullave”- thotë ai. Në gjyq, sipas Beqit, kanë dalë dëshmitarë shokët e tij ushtarë që i kishte në repart dhe më vendim nr. 96, datë 14.05.1996, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, gjyqtari Admir Thanxa ka dhënë verdiktin “burgim përjetshëm” për veprën penale “Krime kundër njerëzimit “.
Gjykata e Apelit të Rrethit Tiranë me vendimin e saj nr. 496, datë 05.07.1996 ka lënë në fuqi dënimin e dhënë në shkallë të parë duke rrëzuar ankimimin e avokatëve të Binaj.
Ndërkohë Binaj në tentativë për t’i shpëtuar dënimit kishte ndryshuar emrin në gjendjen civile të Vlorës.
Një urdhër për ekzekutimin e dënimit ndaj tij, i dhënë në vitin 2009 nga Prokuroria e Shkodrës, saktëson se Bino Binaj ishte i njëjti person me emrin e ri Besnik Ali Zykaj. Por ky urdhër, që Kujto e disponon, nuk u zbatua kurrë nga policia shqiptare, pasi Zykaj (alias Binaj) ishte arratisur nga vendi.
I shpallur në kërkim ndërkombëtar me emrin e ri ai arrestohet në vitin 2012 në Firence, Itali, por institucionet shqiptare përgjegjëse dështuan që ta esktradojnë atë drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin.
“…autoritetet gjyqësore italiane nuk kanë pranuar ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë”- thuhet në një korespodencë mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Rrethit Shkodër, vënë në dispozicion me kërkesën për të drejtë informimi nga kjo e fundit.
Arsyet se pse autoritetet italiane nuk janë bindur nga institucionet shqiptare që ky individ duhej të dërgohej drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin mbeten ende të paqarta pasi as Prokuroria e Shkodrës dhe as Ministria e Drejtësisë nuk e vunë në dispozicion dokumentacionin e plotë.
Nga ana tjetër Policia e Shtetit pranoi për Kujto.al se Besnik Zykaj (alias Bino Binaj) rezulton ende në kërkim ndërkombëtar me status ‘Aktiv”.
I revoltuar Beqi fajëson shtetin shqiptar.
“Pra, shteti ka pasur mundësi që ta gjejë atë, por e ka ndihmuar vetë shteti për të mos u ekstraduar”- thotë ai.
Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike, i tha Kujto.al se pas rrëzimit të regjimit komunist nuk pati asnjëherë përpjekje për t’i dënuar këto krime dhe as personat që i kryen ato.
“Kur ne tentuam për të krijuar procese hetimore, ishte jashtëzakonisht e vonuar dhe individët nuk ndodheshin më në Shqipëri, ose nuk kishte më dokumentacion që mbështeste hetimet gjyqësore”- tha Krasniqi,
Ai e lidh fluksin e vrasjeve në vitin ’90 pikërisht me ndryshimet ligjore të kohës, të cilat ndryshe nga sa u premtua nga Ramiz Alia, nuk u zbatuan nga postat kufitare.
“Në muajt Prill- Maj 1990, vrasja në kufi u dekriminalizua dhe u konsiderua kalim i paligjshëm i kufirit që dënohej me disa vite burg. Ndërkohë aktet nënligjore që duhet të rregullonin gjithë këtë, nuk dolën në kohë, strukturat brenda partisë së punës vazhduan të veprojnë në linja partiake me urdhër politik dhe jo sipas ligjit dhe Kushtetutës dhe për pasojë edhe në aspektin ligjor edhe në aspektin kushtetues, edhe në aspektin e të drejtave të njeriut të gjitha vrasjet në kufi te vitit 1990, janë kundër Kushtetutës kundër ligjit, kundër parimeve të të drejtave të njeriut dhe kundër angazhimit shtetëror”- thotë Krasniqi.
Alibia që përdoret se individët kanë zbatuar ligjet e kohës, sipas tij, “bie automatikisht për shkak të kësaj rrethane specifike”.
Pavarësisht premtimeve publike udhëheqësi i fundit komunist, Ramiz Alia, i nxiste këto vrasje, siç tregon procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike 4 dhjetor 1990 ku ai justifikonte si normale gjuatjen me armë ndaj atyre që tentonin arratisjen nga ushtarët e kufirit.
Alia e mbajti detyrën si president i vendit dhe disa muaj pas ndryshimit formal të sistemit, kohë që ai e shfrytëzoi për t’u dhënë imunitet politik të gjithë atyre që i kishin shërbyer në momentet e fundit shtetit totalitar.
Kështu, më 5 janar ’91, u dha dekorata të larta presidenciale të gjithë oficerëve përgjegjës për vrasjet në kufi, përfshirë edhe vrasësin e Vatë Beqit, Besnik Zykaj (alias Bino Binaj.
Sipas Afrim Krasniqit, “ky ka qenë një mesazh drejtuar forcave të sigurimit të kufirit se kanë mbrojtje të lartë që nga presidenti, parlamenti dhe struktura të larta politike të vendit dhe si i tillë ka promovuar të keqen dhe e ka kthyer në sistem dhe deri diku ka ndikuar edhe në mbylljen e dosjeve”.
Të vrarë dhe të braktisur nga shteti
Familjarët e viktimave, të cilët u vranë në kufinjtë e Shqipërisë në përpjekje për t’i shpëtuar diktaturës, u përballën me dyert e mbyllura të shtetit shqiptar për të mësuar të vërtetën dhe për të gjetur trupat e tyre. Ndërsa shteti komunist i kishte vrarë, shteti i ri demokratik i braktisi në përpjekjet e tyre për drejtësi.
Kjo ndodhi edhe me Gjergj Ashtën, i cili i kushtoi shumë vite të jetës zbardhjes së ngjarjes dhe sidomos gjetjes dhe kthimit të eshtrave të të vrarëve që kishin mbetur në Mal të Zi.
Ai thotë se, të gjitha përpjekjet i ka bërë në rrugë private dhe e vetmja ndihmë shtetërore që mori ishte nga autoritetet malazeze të komunës Ulqin.
Fillimisht atë e ndihmoi një banor i zonës, Nikolla Elezoviç, nga fshati Shën Koll, Mal i Zi.
“Një shok i imi më thotë kanë ardhur disa katolikë interesohen për disa të vdekur, që janë vrarë në kufi dhe i kanë sjellë te kisha juaj dhe i kanë varrosur”- tregon Elezoviç për Kujto-në.
Më pas ishin autoritetet vendore të Ulqinit që e asistuan për të tërhequr trupat e të afërmëve të tij.
“Kam takuar ish.kryetarin e komunës së Ulqinit, Mehmet Bardhi, i cili më është gjendur shumë dhe më ka ndihmuar për të gjetur vendin se ku ishin varrosur. Janë dashur procedura 5 vjeçare për t’i tërhequr eshtrat, për t’i zhvarrosur dhe për t’i çuar në Shqipëri”- thotë ai.
Mes zyrtarëve që e ndihmuan për identifikimin e vendvarrimit ishte edhe Gjergj Pepgjoni, i cili kishte shërbyer në vitin ’90 si sekretar i Komunës së Ulqinit.
Në një përgjigje me shkrim që Pepgjoni i dha Kujto.al kuptojmë se të vrarët nga polica kufitare e Shqipërisë, merreshin nga ushtria malazeze, identifikoheshin prej të afërmve të mbijetuar dhe me një urdhër gjykate varroseshin në një varrezë të posaçme të komunës.
“Ulqini nuk kishte varre qyteti, por varre fetare dhe bashkësitë nuk pranonin varrosje pa ditur përkatësinë fetare. Kështu që caktuam një parcelë në Kishën e Shën Kollit. Urbanizimi ka bërë skicën, që është arkivuar, pastaj një kopje, bashkësisë lokale, kishës dhe gjyqit. Në skicë janë shkruar edhe emrat, edhe pozicioni”- thotë ai.
Ashta konfirmon se pikërisht në këtë varrezë të caktuar nga bashkia ai kishte gjetur trupat e të afërmëve.
“Kur kemi hapur varret, brenda ishin të shkruajtur në arkivole emrat e personave siç i kërkonim ne dhe i kemi marrë e i kemi kaluar në kufi në Hanin e Hotit dhe i varrosëm në Shkodër.”- tregon ai.
Me marrjen e eshtrave familja Palna duket sikur e ka lehtësuar disi dhimbjen. Por drejtësia për ta është ende larg. Askush nuk u dënua për atë ngjarje dhe Liljana, vajza e vogël e familjes e vrarë po atë natë, rezulton e zhdukur edhe sot.
Ende sot qindra familje nuk dinë se çfarë ndodhi me njerëzit e tyre në tentativë për të kaluar kufinjtë.
Autoriteti i Dosjeve (AIDSSH), një institucion i ngritur në 2015-ën me qëllim hapjen e dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit, ka në fondet e tij arkivore informacion të bollshëm për vrasjet në kufi që mund të shërbejë për të zbardhur përmasat e këtij krimi shtetëror por dhe për të ndihmuar institucionet e tjera dhe familjarët në kërkimet e tyre.
Kryetarja e këtij institucioni, Gentiana Sula, thotë për Kujto.al se janë hapur dosjet që lidhen me vrasjet e ndodhura në kufirin juglindor dhe atë verior dhe do të vijohet me hapjen e dosjeve për kufirin me Kosovën dhe atë Jugor.
“Një burim mund të jenë regjistrat e kufirit, një burim mund të jenë komunikatat ditore, një burim mund të jenë dosjet personale”- shton ajo, duke ofruar gadishmërinë e institucionit për të vënë dokumentet arkivore në dispozicion të kërkimeve të familjarëve për drejtësi.
“Për ata që mendojnë se ishte ligji i kohës të paktën moralisht sot, të kërkojmë ndjesë dhe të përpiqemi tja lehtësojmë sa më shumë dhimbjen që kaloi. Kurse për atë pjesë që edhe legjislacioni i kohës e ndaloi vrasjen në kufi, aty drejtësia duhet të funksiononte dhe duhet të funksionojë”- thekson Sula./Kujto.al
Melbourne 2010
Ua kushtoj të Parëve të mi,
Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,
dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,
që menduen, punuen e u salvuen
për Shqipninë Europjane të
Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Autori
Melbourne, Gusht 2010.
Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.
11 MARS 1948 – PUSHKATOHEN PRELATET E KLERIT KATOLIK SHQIPTAR NË SHKODER !
Pushkatohen në Zallin e Kirit në Shkoder: IMZOT FRANO
GJINI, Imzot Nikoll DEDA, At Mati PRENNUSHI O.F.M.,
At Çiprian NIKA dhe 14 intelektual të Shkodres!
EDHE SOT PA ASNJË SHENJË TEK KOKA !
HIDHEN NË ERË URAT EUROPJANE !
“Vetëm në vitin 1945, 80 katolikë, intelektualë të shquar, prej 500 të zgjedhunve nga lista e pajtimtarëve të ‘Hyllit të Dritës’ ekzekutohen.”, shkruen në librin e Tij Prof. Zef Mirdita (fq. 212).
Arkitektët, mendimtarët, dijetarët, shkencëtarët, profesorët, mjekët, ingjenjerët, avokatët, ekonimistët, intelektualët apo klerikët dhe kushdo që ka projektue ose punue për ndërtimin e urave lidhëse me Europën e Përparueme Perëndimore, që nga viti 1944, në çastin e të deklaruemit “pushtues” i asaj ide, nga komunistët asht shpallë “armik i popullit”!
Nuk ishte e pa studjueme vrasja e Ndok Gjeloshit apo e Ludovik Zojzit ndër trotuarët e Tiranës nga njësitet guerrile të komunistëve…
Dikujt nuk i ban përshtypje fare…Po, Ata, që as nuk i ka shkue ndër mend se puna e tyne i vlenë atij qellimi, dhe përkrahën edhe levizjen nacional – çlirimtare tue e konsiderue veten në blokun e Aleatve të Luftës dhe, njëditë heret në mengjes, vetëm, kur e pane vetën… të rreshtuem në Zallin e Kirit para brigadave të pushkatimit…të lidhun përdore me shumë prej atyne që në mëngjes përshëndetnin me grusht në ballë “vdekje fashizmi e liri populli…!” – As kjo nuk u ban përshtypje atyne që përdornin një nga shprehjet e vjetra shkodrane: “I ka ba hysmetin e, t’i ndijnë lezetin..!” Andrrat e rinisë së dikurshme ndër kabaretë e Parisit Enver Hoxha dita me ditë i shihte tashti “me sy të çelur”…
Europa, Papa, Vatikani dhe “veglat e tyre”, dita ditës po zhduken!
Ishte ndër ditët e para të “çlirimit”. Një burrë i njohtun, edhe pse shumë i vobektë, i quejtun Gjon Radoja, porsa del nga shtëpija e tij në rrugën e vjetër Vaso Pasha, ndeshet me një nga partizanët e njohtun në Shkoder, i quejtun Gjovalin Luka. Ishte mjaft heret. Përshëndetën dhe rruga i ban me ecë bashkë. Gjoni, me një strajcë nën sqetull, po dilte në Pazarin e vjetër me hapë dyqanin e vet… teneqexhi.
Gjovalini e pyet nëse e kishte takue apo jo komshinë që kishte gati karrshi deret Gjoni, a e ke pa këto ditë Ndoc Muzhanin? – Jo, i thotë Gjoni, – ka disa ditë që nuk e kam pa…Gjovalini ndalon për një moment dhe i thotë: Gjon, i kam thanë Ndoc Muzhanit, pa të ba si Gjon Radojen, nuk kam çajre as derman…a more vesh, edhe do t’ ia baj atë punë!?
Gjoni e shikon Gjovalinin në sy e aty për aty i përgjigjet: “Heee… mor Gjovalin, çka të paska shkue mendja…Me ba Ndocin si Gjoni, këte e ban për një ditë…Po ku je me ba Gjon Radojen si Ndoc Muzhani, se për me ba zotnitë horra, asht kollaj, po ku jeni me ba horrat zotni…këte a po mund ta bani…?
Ishte ngulë në tru “shokve” komunistë se duhen ba të gjithë horra!
A e kishin prej Marksit këte ide apo prej Enverit…Nuk e di!
Prishën Pazarin e vjetër të Shkodrës, me i marrë frymën qytetit tue i shkatrrue gjendjen ekonomike…mbyllen shkollat fetare për mos me pasë ma intelektualë të kulturës Europjane…vunë piramidat tek Ura e Bunës për me vra njerzit që mendojnë me shkue kah “Perëndon” dielli…hapen 26 burgje e hetuesi për me rrah e me torturue Rininë Shkodrane…
Vranë e prenë Llesha e Pjetra ku mujtën me i xanë ndër male (se, kjo ishte porosia e komandantit!)…vranë kosovarët, se ashtu desht Ramizi…e Omer Nishani … zhduken oficerat akademikë, se sollen nga Jugu edhe ma trima e të përgatitun për me vra e me pre…kështu, thonte Koçi …mbushën burgjet edhe me vajza të reja se kështu…i donte Nexhmija…vranë e zhduken klerikët, se kështu thonte Partia …fshatarët i banë me tokën e tyne ndër të gjitha kooperativat e vendit…deri maje malit…”zotërinjtë” i dërguen në ferma e internime bashkë me “zonjat e tyre”…se, kështu e donte “Lufta e kllasave” …A doni ma…? – Nuk besoj se ka mbetë kush i pakënaqun..?
“Të gjitha rrugët të çojnë në socializem…”, thonte Molotovi.
Na nuk e patem besue, por edhe ate e provuem…
Vdiq Stalini. Erdhi Malenkovi, mbas tij Hrushovi…Njeni kishte mustakë e bolshevik, tjetri si hije, ndërsa tollaci erdh edhe tek na…Ik njeni e eja tetri!
Enveri ishte ngulë…nuk e zhgulte as dreqi… as Zoti!
Shqipnia tashma…po i thonte përgjithmonë “lamtumirë” Qytetnimit Europjan Perëndimor…edhe kuadrot e “larta” tashti po përgatiteshin në vendin e sovjetëve bolshevikë…edhe shoku Ramiz Alia…”përfundoi” studimet në Bashkimin Sovjetik në vitin 1954…edhe “ay” erdhi “maksist – leninist i sprovuar…” ashtu si të gjithë spijunët tjerë të KGB – së sovjetike, bijtë e Stalinit…
U kujtuen xhelatët bolshevikë të Tiranës, aty nga 1958, se tre priftën nuk kanë firmue Statutin e Kishës më 1951…e, dy prej Tyne i pushkatoi, Don Ejëll Kovaçin më 1958 e Don Dedë Malaj më 1959, ndërsa, At Kondrad Gjolaj…u kalb burgjesh e kampesh shfarosjeje…E pse..? – Aty i rrinte mendja Enver Hoxhës, tek Vatikani …Ate që nuk e bani as Stalini, as Hrushovi në B.S. me kishën atje, ate mendonin me e ba “këta” në Shqipni…ndonse, Ramiz Alia në një bisedë “miqësore” ka pasë deklarue se, “nxjerrja e fesë jashta ligjit, na asht imponue nga Kina..!”
Po, “Revolucioni ideollogjik e kulturor”, Ramiz efendia, nga kush t’u imponue? Fjete e u zgjove me netë e ditë të tana në shtëpinë e Mihajl Priftit në Shkodër, tue mendue se kujt me i vue prangat e kujt me i dhanë plumbin ballit? Shfletove rregjistrat e 1945 për me pa se kush ju ka mbetë pa pushkatue…? Nuk u ngope me arrestimet e At Gegë Lumës, At Pjetër Mëshkallës, Don Mark Hasit…e sa të tjerëve, derisa i vune hekurat edhe Imz. Ernesto Çobës…e, tue mos pasë të ngime me Ta, pushkatove Don Marin Shkurtin, që të sollen “axhat tuej” nga Mali i Zi, e mbas tij Don Shtjefen Kurtin, pse Pagëzoi një fëmijë…Urdhnove në Shkodër, me 10 korrik 1968, me u hapë ekspozita “Mbi rolin reaksionar të fesë” dhe, me 3 qershor 1973, hape edhe “muzeun ateist” faqen e zezë tanden…E prap nuk u ngope…po lëshove demat e sigurimit Shyqyri Qokët me shokë për me shkye së gjalli Don Mikel Beltojën…vetëm se ishte Prift Katolik…
E prap nuk u ngope.. Po gjete një anadollak tjetër, kopjen tande ndër zallishtat e Vaut të Dejës, njëfarë Fadil Ymeri, e hodhe në erë edhe Kishën e Vaut të Dejës, pse aty mendohej se asht kunorzue Skenderbeu …!
Shkatrrove Urën ma të vjetër të Shqipnisë së shekullit XIII, vetëm mos me kenë vendi i kunorzimit të Atij Burrë që lidhi Shqipninë përjetësisht me Europën, por edhe me u hakmarrë ndaj Atij që shpëtoi po atë Europë, nga pushtuesit barbar, vëllaznit tuej të një gjaku…e të një mishi, po edhe të një vesi… E nuk u ngope me kaq, po më 1972…organizove edhe kongresin e “gjuhës së njësuar” …vetëm me zhdukë nga faqet e letersisë shqipe 70 % të shkrimtarve Veriorë…arrestove prof. Nikollë Dakaj e Mark Demen…
Vetëm se vazhdonin me përkthye nga ajo letërsi që ishte urë lidhje e jona me Europën…vazhduet me plaçkitë libra e me burgosë intelektualë…
E prap nuk u ngope…por bane ate që nanës sate i paten lanë amanet Malazezët…prishe edhe Katedralen 100 e sa vjeçare të Shkodrës … e ktheve në “pallat sporti”…prishe kishën e Tiranës, prishe kishën françeskane të Shkodrës…bane sallë gjyqesh për Klerikë kishën e motrave Stigmatine…Prishe Xhaminë e Durrësit dhe i vune dinamitin Xhamisë me dy minare në Shkodër…
Vetëm rrenove dhe hodhe në erë gjithshka fliste për kulturën, artin e traditat tona shekullore, që ishin ura lidhje të Shqipnisë Europjane me kontinentin plak.
Ti, Ramiz Alia, je ai tradhëtar që me veprat tuaja kërkove me i hy në bark, “se zemer nuk kishte”, Enver Hoxhës, tue rrenue e mbyllë 2169 kisha, xhami e teçe, nga të cilat 268 ishin Kisha e kapela katolike…
Unë në lidhje me vepren tuej barbare dhe antieuropjane nuk do t’i referohem asnjë kleriku të asnjë besimi, madje, do të citoj pikërisht atë shkrimtar që bota sot diskuton ma shumë se kedo tjetër për atë kohë:
Prof. Arshi Pipa, në përkufizimin shkencor që i ban vepres antiatdhetare në lidhje me gjuhën, shkruen: “Si mund t’i shkojë mendja njeriut me mend se na qenka gjuhë e ‘njësuar’ një gjuhë tek e cila 80% elementesh të një idiome u shtohen 20% elementesh të idiomës tjetër? Termi i drejtë për këte dukuri nuk është ‘njësim’ por thjeshtë: pushtim ose nënshtrim.” (Dy letra të Prof. A.Pipës, Prof. L.Omarit. Tiranë 1993.)
Nëse as këta mendime nuk vlejnë me arrijtë për me pranue se Enver Hoxha dhe Ramiz Alia janë dy bishat e Urave Europjane, atëherë, jemi para një katastrofe të madhe historike, e cila shpejtë do të rroposin shtetin shqiptar!
Por, aprovimi i kësaj katastrofë historike nuk duhet pranue me heshtje, por Shqiptarët Atdhetarë e të gjithë ata që e kuptojnë rrezikun që i kanoset Atdheut, nga veprimet e këtyne tradhëtarëve duhet të ngrihen në kambë dhe, të dënojnë pamëshirë veprat dhe pasojat e tyne historike, damin që i kanë sjellë ata dhe vazhdimin e rrezikshëm të rrugës së tyne tradhëtare nga pasardhësit e sotëm.
Duhet thanë padoreza: ju jeni shpartalluesit e kulturës, artit dhe arësimit kombëtar Shqiptar, ju jeni plaçkitës e dhunues i të gjitha veprave të artit që kishin këto Kisha… e prap nuk ngopeni…por edhe rrenuet afreske e daltime guri e druni që ruheshin në shekuj ndër Kishat katolike e bizantine…
E nëse doni filloni nga fundi i shkatrrimit të tyne…
Se çka u ba me 7 miliardë dollarët të treguem nga shtypi shqiptar që ishin përvetsue prej firmave piramidale?
Po me dosjen e florinit të grabitun simbas raportit të paraqitun prej ministrit të kontrollit të shtetit, Blerim Çela, në vitin 1993 në parlamentin shqiptar, ku thohej për 279 ton ar të zhdukun pa adresë…
Unë po flas me gazeten tuaj, gazeta RD denoncoi më 1991 prap një grabitje rishtas të arit në Shqipni me urdhën të R. Alisë.
U dhanë edhe hollësi lidhun me përmasat e arkave ku ishin vendosun lingotat e florinit që fluturoi me avion dhe emri i “sipërmarrësit të mallit” – zvicerani Xh. Megou.
Ku përfundoi gjithë ky flori i grabitur prej këtyne tradhëtarëve?
Ky flori asht vetëm me shembë e me hjedhë në erë urat tona të lidhjes me Europën Perëndimore…së cilës i përkasin të gjithë Shqiptarët…po e përsëris, të gjithë Shqiptarët pa përjashtim, përveç tradhëtarëve të shitun të Atdheut, që kanë punue e punojnë me nxjerrë Shqipninë nga Europa…E ata që kanë krye këte vepër tradhëtije, e që vazhdojnë edhe sot, jeni ju të dy: Tradhëtari Enver Hoxha e pasuesi i tij Ramiz Alia…
“ATO MAJA RRIPA…RRIPA..!”
Besoj ju kujtohet kanga e vjetër partizane…”Ato maja rripa, rripa”? Malësori e këndonte me dialektin e tij për me kombinue rrima, po unë nuk kam sesi me e shkrue ashtu si e këndonte ai…
Në ndërmarrjen e etiketave në Tiranë punonte një shkodran i vjetër Luigj Filipi, i cili ishte edhe përgjegjës i atij reparti. E pata njohë aty nga viti 1975 kur më ndihmonte për etiketat e prodhimëve të fabrikës së Pëlhurave…E takova mbas sa vitesh tek Pazari i Ri i Tiranës, aty nga vera e vitit 1999 dhe u pëshëndetëm me té. Mbas një bisede të shkurtë për At Mëshkallën, më tregoi sesi në vitin 1945, nga fundi i muejt mars, kur asht pushkatue Don Ndre Zadeja, një natë Luigji, tue bisedue me Tuk Jakovën, me të cilin njihëj që më 1936 në grupin e komunistave të kryesuem nga Zef Mala në Shkodër, i kishte thanë Tukut, se asht e mira me bisedue ai me Enver Hoxhën që mos të vazhdohën pushkatimët e priftënve të Veriut, por të zgjidhën rreth 50 vetë prej tyne, ma të prëgatitunit me shkolla të nalta në disa fusha dhe të shpërndahën në tre apo katër qytete të Shqipnisë tue përfshi edhe Jugun, nga Korça, Gjinokastra dhe Vlona e, sigurisht, me qendër në Tiranë, të hapën universitete me këta profesora dijetarë që ka Kleri Katolik Shqiptar, dhe të japin mësim simbas programeve të parapërgatituna prej nesh, mbasi po të realizohet kjo, me siguri do të prëgatitët një brez i ri i kulturuem, që do të na e kishte lakmi gjithë Ballkani. Tuku e kishte pritë mirë mendimin e Luigjit, por do t’i tregonte pak ditë ma vonë edhe mendimin e Enverit mbasi ta bisedonte me té. Kishin kalue gati 10 ditë pa u takue Luigji me Tukun. Luigji ishte thirrë një natë në një mbledhje urgjente të partisë komuniste dhe mbasi asht kritikue për disa “pikëpamje” të vjetra dhe krahinore, gati ishte edhe përjashtue prej partie, tue u shkarkue nga posti i drejtuesit të atij grupi organizate të partisë komuniste…
Luigji vërtet që nuk kishte shkollë të naltë, por dëshira me pasë kulturë ai vetë dhe rinia shqiptare, si dhe shkolla të nalta në të ardhmen, atij nuk i mungonte. Kjo lidhej edhe me një fakt tjetër, se Luigji njihte përgatitjen, aftësinë dhe mundësinë që kishte Kleri Katolik Shqiptar për me formue tek na një inteligjencë të mirëfilltë Europjane Perëndimore, gja për të cilën kishte dhe ka edhe sot nëvojë Shteti Shqiptar. Kleri Katolik kishte krye shkollat e nalta në rreth 24 Universitete të Europës, tue mos e llogaritë fare se të gjitha fakultetët ishin të njohuna prej tyne, sepse ishin të paisun me kulturë universale, tue fillue nga historia, letërsia, matematika, juridiku, muzika, piktura, skulptura, sportet etj., pa zanë me gojë fare filozofinë apo degët tjera që kishin karakter fetar.
Në mbyllje të bisedës unë, për me e ngacmue, i thash atij: “Po a kishe harrue ti, Luigj, se kuadri i përgatitun në këta universitete do t’i bahej havale “shokut” Enver?”
– Jo jo, – m’u përgjegj Luigji, – havale do t’i baheshin Titos, se Enverit vetëm do t’i kishe nxjerrë “pak punë” sa me pushkatue edhe nja 500 vetë ma shumë se ka vra, nga intelektualët që do t’ishin prëgatitë ndër ata universitete!…
Unë nuk kam pasë fatin me kenë nxanës i shkollave të Jezuitëve apo Françeskanëve të Shkodrës, por kam njohë pak e aspak nga Ata dijetarë për të cilët bisedonte Luigji…
Komunizmi, që në vetkuptimin e tij, asht një mbretni errësine, nuk kishte sesi me pranue me u shartue me kulturën europjane të klerit. Kjo errësinë e mënershme përhapet kudo aty ku çdo dritë apo shkëndi e saj kulturore dhe përparimtare, nga komunistët shuhet me dhunë!
Shkëlqen fort deri në marramandje vetëm një pallat, “pallati i diktatorit”. “Drita” që shpërndan ai, mprehtësija e tij, dija, kultura, elokuenca, madhështia, forca e depërtimit të mendimit dhe fjalës së tij janë absolute, të pagabueshme, të sakta dhe të pandryshueshme, deri tek veprat terroriste, pra, nënkuptohet, të padiskutueshme nga askush, “as nga djali i tij”…Ai asht “dija e pafund”!… Edhe njerëzit që kanë pasë rast me i dhanë dorën, janë ba të dijshëm, të mendshëm, të mprehtë, mbasi janë takue me té. Kur fliste ai duhej ndigjue, por duhej nxjerrë edhe mësim ashtu si e “donte” ai, mbasi kuptimi i shtrembët nga ana e yte mund të të kushtonte “me kokë”…Duhej lexue një fjalim i tij në kolektiv, pra në shkolla, fabrika e kooperativa, minjera e zyra shtetnore, por duhej ripërsëritë në shtëpi, shpesh edhe duhej konspektue tue nxjerrë edhe detyrat për të ardhmen, mbasi vetëm ata ishin “udhërrëfyese” për secilin shtetas. Fotografia e tij ishte në krye të vendit!..Kudo, në zyre, rrugë kryesore, shkolla e deri edhe në mjaft shtëpija…jo vetëm komunistësh, por edhe njerëzish të thjeshtë…
Bustet e shtatoret e tij mbizotnonin qytetet e mbarë vendit!
Ai ishte “atdhetar”, tradhëtar, komunist, fanar ndriçues, bishtuk, pishë, kandil, korrent elektrik, elektroshok e gjithshka tjetër …veç, njeri jo!
Shqipnia, paraqitej nga fqinjtë me tre besime “kontradiktore” që, edhe mbështetëshin nga ana e tyne për të sigurue sundimin e vet …me orthodoksët nga sllavët dhe me myslimanët nga lindorët, për me arritë me zhdukë çdo element Europjan, që simbas parimit të komunistëve ishte çdo atdhetar shqiptar Katolik ose mik i tyne!
Pra, përveç kenjes “pakicë”, popullsia Katolike ishte përballë një “bishës së përgjumun” anadollake, shumë e egërsueme dhe terroriste, që përkonte dhe përputhej me cilësitë komuniste sllave në të gjitha mendimet dhe vëprimet e përbashkëta të tyne, për shkombëtarizimin total. Ajo që përdorej si argument “sulmi” ishte lufta kundër inteligjencës me pikëpamje të shëndoshta europjane Perëndimore, që pjesa Katolike kishte marrë nga universitetet dhe shkollat kur ishte përgatitë e formue nga Kleri Katolik Shqiptar, që i hapi, i formoi dhe i konsolidoi në Shqipni, por edhe universitetet Perëndimore, që ishin shkollat e kulturës Europjane. Kjo bahej vetëm nga zilia apo smira dhe kenja inferior ndaj këtyne shkollave si nga ana e shumë Myslimanëve, si nga ana e mjaft Ortodoksëve, që mbizotnonin pjesën jugore të vendit tonë si dhe Kryeqytetin e tij, ndonse i ndodhun në Veri formalisht…që asht qendra politike, sociale dhe ekonomiko kulturore e vendit.
Komunizmi, terrorizmi dhe krimi i organizuem nga shteti mbi popullin e pambrojtun dhe të mbyllun mbrenda “perdes së hekurt” arrijnë me kthye të gjithë njerëzit në një kope të lidhun kambësh e duersh, me një leckë të kuqe të zhublosun në gojë, që vetëm shohin një dorë nalt, të gjakosun me thikë të shtërngueme fort, që asht dora e diktatorit që mbjell frikë, terror, pasiguri, dhe kërcënim tue shpërba edhe pamjen e njeriut.
Kjo farë e keqe zhvillohet në vëndet ma të pazhvillueme, sepse aty gjen terrenin e vet me mashtrue me parullën ma të njohun, por edhe ma të pelqyeme nga turmat, “barazi për të gjithë pa dallim feje, krahine dhe ideje!”, ndërsa, fshatarët analfabetë i siguron me hy në vathën e tij me “reformën agrare”, që asht praku i kapërcyellit për në kooperativën apo “kolkozin” e fshatarit rus. Kështu përgatitë terrenin me zhdukë me vrasje, burgime, tortura, pushkatime, interrnime dhe gjyqe fallse të “popullit” krejt kastën shtetnore, të ashtuquejtun borgjeze, tue shfarosë krejt aparatin e vjetër të kulturuem dhe përparimtar dhe tue e zëvendsue ate me kastën e “re”, të paditun dhe pa kurrfarë tradite për me organizue shtet të zhvilluem.
Komunistët luftojnë nën kauzën e tyne të internacionalizmit bolshevik proletar dhe vrasin kedo që mbas çlirimit “do t’u sillnin telashe” për me realizue pajtimin e tyne me parimet e neoshovenistëve komunistë.
Prej piktorit dhe mësuesit tim fort të dashtun dhe të paharrueshëm Simon Rrota, kam njohë vëllanë e Tij, shkencëtarin e madh të Gjuhës Shqipe, At Justin Rrota OFM, një nga Françeskanët ma të dijtun që ka pasë Kleri Katolik Shqiptar. Në vitin 1951 e kujtoj në mesin e Elterit të madh të Kishës Françeskane të Gjuhadolit, të mbajtun për parmakët e mermerit, tue predikue, mbasi nuk kishte mundësi me hypë në predikatore, se ishte me një paralizë të fortë, që i kishte pushtue gjysën e trupit. Kisha ishte aq e mbushun me njerëz, sa një pjesë ishin jashtë tri dyerëve të hymjes. Ishin ditët e adhurimit të Sakramendit dhe, ishim pikërisht në ata vite kur endè ishin të pathame plagët e të pushkatuemve nga tragjedia e organizueme prej komunistëve me sigurimin e shtetit, ku pak vite ma parë kishin futë armë e municione nën Elterët e Kishës ku po predikonte At Justini…
Kujtoj mirë temën për të cilën foli: “Krishti në Kopshtin e Gjetsemanit rrëthohet nga xhullinjtë dhe, Juda, afrohet dhe e puthë…”. Sa domethanse ishte kjo ngjarje atëherë!… Pra, isha fëmijë, por fjala e Dijetarit dalton edhe gurin… Në mbrendësinë e zemrës së Tij ishte hapë edhe një plagë e re, se ato ditë ishte arrestue një Dijetar tjetër i madh, At Marin Sirdani OFM., vëlla, mik dhe bashpunëtor i At Justinit në të gjitha vëprimet e tyne. At Marini asht kenë vëlla me një tjetër shkencëtar, Don Aleksandër Sirdanin, që edhe Ate e mbytën në gropat e zeza, në hetuesinë e Koplikut, në vitin 1947. At Marin Sirdani ishte nga kolosët e studimeve historike dhe një nga analistët ma të mëdhej të Historisë së Shqipnisë.
Veprat e Tij janë të shumta, por botimi i vitit 1941 “Shqipnia e Shqiptarët”, e them pa frikë, edhe pse nuk jam kompetent, asht libri që për çdo të panjohun i jam referue dhe kam gjetë rrugën e vërtetë në të. Nëse do të nisemi nga gryka e lumit Buna në drejtim të Tivarit dhe të ecim në të gjitha fshatrat për të gjatë kufinit, ashtu si i rreshton emnat e tyne At Marin Sirdani, pa ma të voglim dyshim them se do të mërrijmë në pikën e fundit të kufinit në fshatrat e Jugut dhe do të ndalojmë në Kepin e Padanës, ku me siguri gjatë kësaj rruge të gjatë dhe të panjohun do të mësojmë edhe ngjarjet historike të atyne fshatrave, që jam i bindun se nuk i kemi ndigjue as lexue askund që nga viti 1941, kur At Marini i ka botue në Shkoder.
Kalimi ndër ata pika kufini që ka përcaktue At Marini asht Kufini i vërtetë i Shtetit Shqiptar.
E ky Kufi kalon në cakun e saktë të tokave tona të plaçkituna nga shovenistët serb, maqedonas e grek. Prandej At Marin Sirdani asht i përjashtuem nga Historia e Shqipnisë së shkrueme nga komunistët. Pa At Marin Sirdanin asnjëherë nuk ka me u shkrue Historia e vertëtë e Shqipnisë, ashtu si nuk asht ende e shkrueme pothuej asgja nga veprat e Tij, tue përjashtue “Hylli i Dritës” para vitit 1944, kur At Marini zinte fletët ma të rendësishme të asaj Reviste.
Në gjuhësi vazhdonte punën shkencore pa ndërpremje At Justini, i cili ka plot 46 vjet që ka vdekë, tek Kuvendi i Arrës së Madhe, me 21 Dhetor 1964, në pragun e shkatrrimit të atij Kuvendi në 1967 nga “Revolucioni Kulturor”. Ka punue shumë për me përcaktue saktësisht se cila duhet me kenë Gjuha e Njësueme Shqipe.
Edhe punimet e Tij mbetën ata të para vitit 1944, ndonse ka punue deri në fundin e jetës pa u lodhë asnjëherë…
Por, fatkeqësisht, mbas vitit 1951, punimet e At Justinit u vodhën nga “vagabondi”, spijun i Sigurimit shtetit komunist, mik dhe veprimtar “besnik” i Ramiz Alisë, “maturanti i natës”, “dr… prof…Jup Kastrati”, që me mundin e djersën rrëkajë të At Justin Rrotës, u shpërblye nga PKSH dhe Sigurimi i shtetit, të cilit i ka shërbye deri sa ka ngordhë, me “titujt” e sa e sa privilegje të pameritueme për hajninë ndaj vepres shkencore të At Justinit.
Ja një fakt. Librat që ka marrë tek At Justin Rrota kishin stampën J.R. Jupi fshinte me brisk shkronjën R nalt dhe, ajo bahej K, kështu, libri J. R. këthehej J. K. Shihni me kujdes “Bibliotekën përsonale” të J.K. dhe do të bindeni se sa vepra ka vjedhë Jupi!
Po a vetëm At Justini e vëllaznit Sirdani u vodhën e plaçkitën nga pseudo dr.. prof… e Enver Hoxhës e Ramiz Alisë? Jo, e kam shkrue disa herë dhe po e përsërisë prap, se: Biblioteka Kombëtare e Tiranës në vitin 1998, kishte në podrumet e saj mbi Njëmijë tituj e vepra shkencore të Klerit Katolik Shqiptar, të plaçkituna nga sigurimi i shtetit komunist që nga viti 1945, në Bibliotekën Françeskane, të Jezuitve dhe tek Kisha Kathedrale në 1967. Po, veprat e Don Nikollë Gazullit, ku janë..?
Jo jo, dhe Jo, duhet të ngulitët në trunin e çdo Atdhetari Shqiptar: Jo heshtje! Shkenca dhe Kultura Shqiptare duhet të vihët në shinat e së vërtetës! E kjo asht e domosdoshme e duhet të fillohet nga të gjitha shkollat Fetare, për me u pasue nga ato shtetnore, që vazhdojnë me kenë të prangosuna nga ideologjia marksiste – leniniste, tue përfshi edhe të gjitha botimet shkollore në të gjitha Trojet Shqiptare, e kryesisht në Kosovë. Janë pikërisht ata libra e tekste shkollore që shpërndahën në gjithë Botën tue helmatisë Rininë Shqiptare nga SHBA e deri këtu në Australinë e pastër e të qytetnueme…demokratike.
Kulturës Shqiptare i mungojnë themelet ndër librat që botohen edhe sot, gati mbas 20 vjetësh të ramjes së Murit Berlinit, i cili “nuk pranon” me u rrëzue në koken e komunistëve në Shqipni! Ku asht ndër libra të shkollave At Fishta, Don Ndre Zadeja, Don Lazër Shantoja, Don Nikollë Gazulli, At Shtjefën Gjeçovi, At Gjon Shllaku, Don Ndoc Nikaj, At Bernardin Palaj, At Donat Kurti, Don Aleksandër e At Marin Sirdani, Imzot Vinçenc Prennushi, At Pjetër Mëshkalla, At Zef Saraçi, At Zef Valentini, At Anton e At Mark Harapi, e sa të tjerë që janë ende me “epitetet” e komunistëve kriminelë në Historinë e Shqipnisë, bazat e së cilës i vune Vetë Ata, dhe i çimentuen Ata Themelët e Saj me Gjakun e Shejtë të Tyne!
Cili universitet i Botës së Qytetnueme përjashton nga Katedrat e Tij Përparimtare At Shtjefën Gjeçovin apo At Gjergj Fishtën ? Kush mund të flasi për publiçistikën tonë pa zanë me gojë Faik Konicën e Don Lazër Shantojën ?! Cili nga Shqiptarët e Jugut mundet me folë për Çerçiz Topullin e Mustafa Qullin pa zanë me gojë At Anton Harapin? Kush di sot me kja mbi vorrin e Avni Rustemit si kjau Don Lazër Shantoja ?… Kush asht Ai Shkodran apo Vlonjat e Korçar që do me vue një “Rubë” pa lexue Don Ndre Zadejën e, me i këndue Asaj pa ndigjue melodinë e pavdekshme të Don Mikel Koliqit ? Kush mundet me mohue sot Themelet e muzikës Shqiptare të vume nga duert e At Martin Gjokës…
Kush mund të flasi për etnografinë tonë sot pa njohë veprat e Prof. Simon Rrotës ? Botanisti i madh At Mark Harapi SJ. ka zbulimet e veta në florën shqiptare, që as nuk i ze kush me gojë.
Vetëm në pikturë kishte dy akademista që jetuen deri vonë 1980 – 2003, At Gegë Luma dhe At Leon Kabashi, pa mujtë me dhanë asnjëherë kontributin e tyne në atë art.
Asnjëherë nuk duhet harrue se kryeveprat e Kolë Idromenos janë krijue dhe ruejtë në Kishën Katedrale të Shkodrës, dhe se, nga bankat e shkollës françeskane dhe asaj jezuite dolën artistët ma me vlerë të letërsisë dhe artit shqiptar në shekullin e XX-të, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta, kompozitori i madh Prenkë Jakova, aktori Zef Jubani, kangëtari Lukë Kaçaj, piktori Lin Delia dhe futbollisti i pahurrueshëm Loro Boriçi etj. etj…
Kush mund të quejnë vetën Shqiptar e stërnip i Gjergj Kastriotit Skenderbeut, pa pranue se “lotoret” e At Shtjefën Gjeçovit janë të stërgjyshëve tanë, që i kënduen Lirisë dhe i vajtuen robnisë ndër shekuj të shekujve? Jo, Shqiptarë, kështu, jo! Shqipnia asht prej nalt në Grudë e deri poshtë ku shkruen At Marin Sirdani…po, mësoni historinë se mund të jeni shumë të pasun me dollarë e Euro, po jeni shumë të “vorfën” në gëdhenje kulturore të trunit dhe të shpirtit! Shqipnia ka pasë dhe ka edhe sot Dijetarë e Njerëz Përparimtarë! Shqipnia ka pasë e ka me pasë nëvojë për Dijetarë, por, po përsërisë, për Dijetarë që e kanë dashtë dhe duen edhe sot me shpirt e me gjithë zemër: Një Shqipni Europjane!
Populli Shqiptar sundohej nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, dy tradhëtarë, që nëpërmjet dhunës që ushtronin me institucionin e tyne të paligjshëm, Sigurimin komunist, kishin vetëm një parim terrorist: frikësimin, kërcënimin dhe shtypjen e pashoqe, pse secili Shqiptar ishte i lidhun “për kafshatën e bukës”, siç ka thanë At Pjetër Mëshkalla, kur u arrestue në “Revolucionin Ideologjik e Kulturor” të vitit 1967 në qytetin e Shkodrës.
Kjo ishte reforma me të cilën krenohën shokët e Partisë komuniste: “Arësimimi i gjerë i masave dhe revolucionarizimi i shkollës sonë…” Qendrat ku Shqiptari humbi tiparet e Tij shekullore, Burrni, Besë e Bujari. Ja vendi ku u shemb Ideali “Atdhé e Fé”, ja çerdhja ku Shqipja Dykrenare çili zogjët e vet: Malësia tue ikë rrugëve të mërgimit dhe tue harrue zakon e traditë mijavjeçare. Ja “shkolla” ku formohej breznia e “re socialiste” pa korajo civile, servile dhe hipokrite, opurtuniste pa pikë burrnije, me parime marksiste – leniniste dhe ateiste bolshevike, parime të cilat synojnë me shpartallue Atdhetarizmin dhe Familjen Shqiptare.
E kush ia imponoi Shqiptarit europjan këto vese të flligta? Tradhëtarët, pikërisht ata që për me sigurue kolltukun e tyne dhe me pasunue edhe trashigimtarët e vet me pasuni përrallore, shitën Atdheun.Një nga vendet ma të vjetra dhe me tradita europjane shpartallohet nga dy komunistë tradhëtarë aq keq, sa kalojnë dekada njenambastjetres, tue ngushllue vetën: “Po, jemi dishka ma mirë se vjet…!” E deri kur kështu?
Nëse Populli Shqiptar nuk do të çveshi tradhëtarët e Atdheut nga rrobat tradhëtisë dhe nuk do t’i thejë përtokë piedestalët që i kanë vue me duert e tyne terroristët komunistë, ashtu si Populli mori zvarrë statujen e diktatorit Enver Hoxha gjatë rrugëve të Shkodrës dhe Tiranës, poashtu duhet të shkrryhen ndër balta edhe dekorata e meritat e pameritueme të tyne ose, përndryshe, në vendin e tyne, mu në atë llom ku kanë zhytë për njëgjysë shekulli Popullin, Populli aty të vazhdojë me qëndrue! Jo, asnjëherë Shqiptari nuk i ka puthë prangat e robnisë!
Shenim nga F.Radovani: Vazhdon Pjesa VI.
Melbourne, 10 Mars 2026.
Dashnor Kaloçi/ Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës.
I dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj.
E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kristo Voko, me dokumentin ku është zbardhur biseda telefonike midis bashkëshortes së Tuk Jakovës, Mita Leka Jakova, me të motrën e saj, kompozitoren e njohur, Dhora Leka
R A P O R T
Mbi bisedimin telefonik të Mita Jakovës me Dhora Lekën
Në datën 6.3.1957, ora 18.00, Mita Jakova zhvilloi me Dhora Lekën në telefon këto biseda:
Mita: A ka rënë grip aty, jeni gjë të sëmurë, si është mamaja, nuk do të vijë…?
Dhora: Ka grip, neve nuk jemi të sëmurë, nëna është mirë, mërzitemi për ju.
Mita: Neve mirë jemi dhe këtu ka grip, Dhorë, ke marrë ndonjë lajm andej…?
Dhora: Morra vetëm një shënim, por nuk më lënë të shkoj të takohem.
Mita: More shënim të shkosh në Tiranë, Dhora, po shkove në Tiranë, është mirë të takohesh me ata shokët e Partisë (këtë frazën e fundit, Mita, e përsëriti me intensitet 3 – 4 herë, pasi Dhora nuk e dëgjonte mirë dhe më së fundi, Mita, i tha: lëre lëre, nuk e dëgjon, bile në fillim i tha: “Të takohesh me atë shok” dhe pastaj e kthehu: “Me atë shok të Partisë”).
Mita: Dërgo ndonjë lajm.
Dhora: Mita, ai kërkon të ndahet, nuk më lënë të shkoj.
Mita: Nëna mërzitet?
Dhora: Jo nuk mërzitet, nga data 20 do ta dërgoj andej.
Mita: Pa pushuar gripi, mos e dërgo.
Më së fundi u përshëndetën, duke i premtuar njëra – tjetrës se do të këmbejnë lajme më vonë, por me çfarë mjeti nuk thanë.
Linja kishte shumë zhurmë dhe nuk dëgjohej mirë, u dëgjua që centralistja e Gjirokastrës i tha Dhorës: “Mbaruan minutat” dhe Dhora ju përgjigj: “Mirë, do të paguaj më shumë”.
Biseda u dëgjua me anë të një aparati të tretë prej major Kristo Vokos.
Punëtori Operativ
Kristo Voko
Shënim:
1. Raporti të shtypet në 3 kopje, një të vendoset në dosjen e Mita Jakovës, njëra t’i dërgohet Degës së II-të dhe tjetra Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Gjirokastër.
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kapiten Nexhip Pajo, me të dhënat e rezidentit të Sigurimit me pseudonimin “Beteja e Seulit”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës
Marrë nga P. Op. Kapiten Nexhip Pajo
Në takim me Rezid. “Beteja – Seulit”
Raport i dt. 20.3.1957
Burimi njofton se ai rreth datës 16 shkurt të vitit 1957, në parkun e makinave të batalionit, ku pastronin automjetet, ishin duke biseduar me ushtarë Jonuz Ymerin e Nimet Bacin dhe ai, mbi pushkatimin e Dali Ndreut me të shoqen e tij. Ndër të tjera, Jonuzi tha se: “Unë çuditem me këta të mëdhenjtë që nuk rrinë rehat, populli u jep lekë sa s’i hanë dot, kurse këta e tradhtojnë”.
Nimeti, pyeti atë; si thoni juve, ç’kanë këta dhe çfarë duan, ai tha: po juve si mendoni, unë tha Nimeti, them se këta janë politikanë dhe nuk duan këtë qeveri. Këtë e thotë dhe Jonuzi, jo more, se Dali Ndreu bashkëpunonte hapët me jugosllavët dhe ishte bërë agjent i tyre së bashku me gruan e tij. Ai tha se; a e sheh sa bukur e di ky, kurse Jonuzi tha që; unë këtë e mësova nga Tuk Jakova.
Ai tha se; Tuku me ty do të llafoset, Jonuzi tha se; jo, ai me mua nuk u llafos, por unë vajta në Berat në nëntor të 1956-ës, për të marrë një familje oficeri që ishte transferuar në Shkodër dhe ai oficeri u njoh me atë shkodranin që ishte civil, të cilin se njoh dhe i tha se; unë shkoj në Shkodër, ai civili i tha se; nëse do të shkosh, ai oficeri i tha se; ja tek e ke shoferin.
Kurse civili tha se më merrni dhe mua për në Shkodër meqenëse shkoni direkt, unë tha Jonuzi, i thashë; si mos të marrim shkodranët, se edhe vetë jam nga Shkodra, nga ai muhabet tha Jonuzi, ai oficeri iku, kurse unë u bashkova me civilin ku në rrugë u takuam me Tukun dhe shëtitëm e vajtëm në restorantin “Moska” e pimë birrë.
Ai i tha Jonuzit; po si të besuam të pinin me ty? Jonuzi i tha se; para se të shoqëroheshim, Tuku druante dhe nuk bënte muhabet, por ai shkodrani hapi muhabetin e Dali Ndreut me gjithë të shoqen e tij, se si u pushkatuan.
Tuku e shikoi në sy dhe nuk i bëri zë dhe unë e pashë tha Jonuzi, se ata nga unë u frikësuan dhe u thashë; nga unë mos kini frikë, mos u druani dhe më njihni e u tregova emrin e babës dhe u thashë se edhe unë jam si juve, në këtë kohë u hodh ai civili dhe tha; ama, djali i filanit je ti, duke thënë se unë e njoh babanë tënd.
Dhe i tha Tukut; mos u druaj nga ky dhe ja filluan muhabetit. Tuku në këtë kohë tha se; unë i thashë Komitetit Qendror se nuk është vija e Partisë ashtu, këtë e thashë dhe e them. Ai civili tha; Ti Tuk, ke bërë gabim se nuk veprohet ashtu si vepruat ju, unë tha Tuku, një gjë që është e drejtë, ja them popullit, Partisë, po si e marrin njerëzit dhe Partia, është diçka tjetër.
Ai i tha Jonuzit; po në ç’mënyrë është diçka tjetër, Jonuzi tha: ai e di, se unë jam shkodran, por atyre s’ua merrja vesh muhabetin. Nimeti i tha; po ata shqip flisnin, Jonuzi tha se; shqip flisnin, por unë s’ua kuptoja dot, e kishin mbi vrasjen e Daliut me të shoqen e tij. Në këtë kohë, mblidhet reparti dhe biseda u ndërpre.
Po me datën 13.3.1957, ora 10 paradite, ai së bashku me ushtar Dhimitër Ruçin, vajtën dhe kontrolluan makinën e Jonuz Ymerit. Jonuzi ishte bashkë me ushtar Sulejman Gabën dhe kishin muhabetin mbi fjalimin e Popoviçit dhe shpjegonin çfarë thoshte gazeta. Dhimitër Ruci i tha Jonuzit; duket ti që ma ke kokën të madhe dhe duhesh të merresh me politikë, Brahim Çela i tha se; ti duhet të merresh me njerëz të mëdhenj dhe se meriton të jesh këtu.
Ai tha; po s’e dini, juve se ky me të vërtetë merret me njerëz të mëdhenj dhe a e dini juve se ky na ka gënjyer dhe një ditë tjetër, duke thënë se; u takuam me Tuk Jakovën dhe bëmë muhabet të vërtetë. Jonuzi tha se; mos më shiko se unë jam ushtar, pse çfarë ka se Tuku punëtor ka qenë dhe pse unë i’u paraqita si i tyre, ai tha se mundet.
Sulejman Gaba tha se; dhe ky kulak ka qenë (për Jonuzin) dhe Tuku kulakët përkrahte, në këtë kohë ai tha; jo more, unë tallem me Jonuzin, se është si hoxha, se edhe Tuku priftërinjtë e hoxhallarët përkrahte, Dhimitër Ruci tha se; ashtu si e bëri, e pësoi.
“Beteja e Seulit”
Detyrë:
Sqarim:
Tiranë, më 21.3.1957
Punëtori Operativ
Kapiten Nexhip Pajo
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Raqi Zavalani, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjilenti”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës
Marrë nga P.Op. Raqi Zavalani
Dhënë nga B.p. “Vigjëlenti”
Vlorë, më 4.11.1957
R A P O R T
Prej datës 23 gusht e deri më datën 3 nëntor 1957, janë diskutuar nga ana e Tuk Jakovës e Hulusi Spahiut, duke qenë prezent dhe ai, këto çështje:
Mbi prapaskenën e Beratit: Në Berat Konferenca zhvilloi punimet e saj, në këtë konferencë u morën dhe masa kundër disa shokëve, siç është rasti i Ramadan Çitakut dhe Liri Gegës. Kjo e fundit, gjoja se i kishte zënë vendin Koci Xoxes, por vetë shoku Enver Hoxha, e kishte lënë me atë detyrë, pasi Koci Xoxe ishte në burg.
Këtu me të vërtetë ishte një prapaskenë, në të cilën bënte pjesë dhe shoku Nako Spiru, por në këtë prapaskenë, nuk kanë pasur gisht jugosllavët, pasi aty bënte pjesë Miladini, i cili nuk ka bërë asnjë ndërhyrje, prandaj këtu nuk ka pasur ndërhyrje nga Jugosllavët. Nakua, mbasi mbaroj Konferenca, tha se na mbeti ky….fjalë fyese për shokun Enver.
Mbi Plenumin e VIII-të. Para se të bëhej Plenumi, thotë Tuku, Partia Jugosllave i çoi letër Komitetit Qendror të Partisë sonë, ku thuhesh se; në marrëdhëniet tona po kristalizoheshin dy vija: vija e parë për marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe vija e dytë për prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, këtë rol për prishjen e marrëdhënieve, e luante Nako Spiru.
Në Plenum doli se në kokën e Partisë sonë, ka pasur një fraksion dhe kjo është e vërtetë, pasi shoku Enver dhe Nako Spiru kanë biseduar me njëri tjetrin, por duke për këtë situatë, shoku Enver ja la të gjitha Nako Spiros, duke mos i lënë afat të gjatë, kështu që u detyrua të vrasë veten. Duke vrarë veten, Nakua i mbuloi shokut Enver marrëdhëniet që ka pasur me Nakon, po të donte Koci Xoxe, ose jugosllavët, atëhere, patjetër do të fitojshin, prandaj nuk ka pasur fraksion.
Mbi Kongresin e I-rë: Në kongresin e I-rë thotë si Tuku ashtu dhe Hulusiu, Enveri ka qenë i izoluar, kjo nuk është e vërtetë, por këtë e ka thënë për t’i ikur kritikës nga masa e Partisë dhe nga ana tjetër për t’ju shmangur autokritikës, mbasi në referatin e Sh. Enver thuhet se vija politike ka qenë e drejtë, kurse vija organizative e shtrembët dhe kjo me qëllim që ti shmanget kritikës nga masa e partisë dhe për të mos bërë autokritikë, po kështu e lidhin dhe të gjithë veprimtarinë e Koçi Xoxes mbi fajet që ai ka bë dhe mbi veprimet ka pasur dijeni dhe sh. Enver, mbasi ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë. Prandaj dhe kësaj duhet ti bëhesh një analizë e thellë, se kjo nuk zënë vend sot që t’i ngarkohen të gjitha Koçi Xoxes.
Mbi marrëdhëniet me Jugosllavinë: Në vitin 1955 u dukën shenja të përmirësimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë, kurse Kongresi i XX-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe dritë më shumë për të ecur në këtë drejtim. Mirë po në mos zhvillimin e marrëdhënieve të mira me Jugosllavinë, një rol negative kanë luajtur Berja e tash, së fundi Molotovi, Kaganoviçi e Malenkovi, kurse në Partinë tonë i pengojnë marrëdhëniet sh. Mehmet Shehu e Liri Belishova.
Këto e akuzojnë Jugosllavinë se nuk ndërtohet socializmi, se ata janë një agjenturë dhe ajo që i prishi më shumë qenë ngjarjet e Hungarisë, kurse nga situate e tanishme del se atje ndërtohet socializmi, se ato nuk janë agjenturë. Kjo vërtetohet me shkuarjen e Hrushovit e Titos në Rumani, prandaj akuzat e bëra kundra lidhjes Komunistëve Jugosllav nga ana e partisë tonë është e padrejtë e pa baza. Prandaj këto marrëdhënie duhet të ndreqen dhe këtë e vërtetojnë me fjalimin e Zhukovit dhe të sh.Enver.
Në prishjen e marrëdhënieve, qoftë Tuku qoftë Hulusiu thonë se faj ka partia e jonë ma tepër. Por sot duhet të rregullohen se kështu e lyp situate./Memorie.al
Datë 4/XI/1957 “Vigjilenca”
Instituti i familjes ortodokse Qiriazi: Një Paradigmë Historike dhe Filozofike e Arsimit Kombëtar
Në fillim të shekullit XX, Shqipëria po përballej me sfida komplekse në ndërtimin e një identiteti kombëtar dhe në emancipimin social të qytetarëve, veçanërisht të grave. Në këtë kontekst historik, kthimi i familjes ortodokse Dako- Qiriazi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishte një ngjarje e rastësishme. Motivet e tyre ishin thellësisht ideore dhe të lidhura me një vizion kombëtar. Motrat Qiriazi dhe Kristo Dako me dy djemtë e vegjël, u kthyen me një qëllim të qartë: të krijonin një hapësirë arsimore që do të shërbente si laborator i emancipimit dhe i përgatitjes së vajzave për të marrë pjesë aktive në jetën shoqërore dhe kombëtare.
Ky rikthim ishte një akt të ndërgjegjshëm civilizues, një afirmim i idesë se arsimi është jo vetëm e drejtë e natyrshme, por edhe mjet i fuqishëm për ndërtimin e vetëdijes kombëtare. Kjo bindje ishte baza mbi të cilën u themelua Instituti Qiriazi dhe nga ku u zhvillua gjithë veprimtaria e tij pedagogjike, kulturore dhe sociale. Motivet e tyre shtriheshin përtej aspiratave personale; ato ishin të rrënjosura në një bindje të thellë se arsimi i vajzave, një kategori historikisht e përjashtuar nga hapsirat publike, përbënte një imperativ etik dhe politik për konsolidimin e kombit. Ky mision, i interpretueshëm si një ndërthurje mes patriotizmit dhe pedagogjisë humaniste, do të realizohej në formën e Institutit Qiriazi, i cili synonte jo vetëm të edukonte, por edhe të formonte qytetarin e ndërgjegjshëm, të aftë për të ndërvepruar me sfidat sociale dhe kulturore të kohës.
Hapja e dyerve të Institutit më 22 tetor 1922 përfaqëson një ngjarje paradigmatike në historinë e arsimit shqiptar. Shkolla u konceptua si një institucion kombëtar sic thoshte Sevastia që “Qysh në fillim shkolla jonë u bë një shkollë kombëtare…”, u dallua për vizionin e saj progresist: integrimi i vajzave myslimane, katolike dhe ortodokse lindore nuk ishte thjesht një akt tolerance, por një manifest i filozofisë së bashkëjetesës dhe kohezionit social duke përfshirë siç thoshte Sevastia vajza myslimane, katolike dhe ortodokse lindore. Qiriayët dhe Dako nuk kishin imponur asnjëherë përkatësinë e tyre ortodokse sepse feja e Shqiptarit është shqiptaria. Kjo nuk ishte vetëm një strategji, por një deklaratë filozofike dhe kulturore, një Institut arsimor për vajzat nuk ishte thjesht një institucion pedagogjik /edukativ; ishte një projekt i gjatë i familjes i lidhur ngushtë me kauzën kombëtare dhe me sakrificat e brezave të mëparshëm. Qëllimi ishte i qartë: të krijohej një Institut që do të shërbente si model për gjithë Shqipërinë, duke u bazuar në vlera kombëtare dhe respekt për diversitetin. Ky ambient u bë një vend ku vajzat mësonin të bashkëjetonin, të respektonin njëra-tjetrën dhe të kuptonin rëndësinë e solidaritetit për një kauzë më të madhe: arsimin dhe identitetin kombëtar. Vizita e Albert Thomas, drejtori i Zyrës Ndërkombëtare të Punës në Gjenevë, ishte një moment ku u konstatua fuqia e kësaj bashkëjetese. Ai pyeti se cilat vajza ishin myslimane, cilat katolike dhe cilat ortodokse, por u befasua kur mori përgjigjen e Parashqevit: “Të gjitha janë një dhe jetojnë në një bashkësi të vërtetë.” Ky moment simbolizon jo vetëm harmoninë ndërfetare, e vulos misionin kombëtar të Istitutit Qiriazi: ndërtimin e një identiteti shqiptar të përbashkët mbi bazën e dijes, prej themelimin më 1891 në Korçë . Instituti Qiriazi përfaqëson një vazhdimësi, gati 40 vjeçare, prej 1891, ku teoria dhe praktika e edukimit kombëtar dhe emancipatës sociale ndërthureshin në mënyrë të pandashme.
Por nxënëset përballeshin edhe me sfida të përditshme që ilustrojnë qartë përmasën filozofike të këtij misioni. Rrugët e vështira, baltosura dhe të mbuluara me mjegull, ku vajzat përballeshin me motin dhe lodhjen e shpeshtë, nuk ishin thjesht pengesa fizike. Ato përfaqësonin metaforë të qarta për rezistencën ndaj strukturave patriarkale dhe shoqërore që synonin të kufizonin praninë e grave në jetën publike. Çdo hap drejt shkollës ishte një akt afirmimi të autonomisë dhe vetëdijes kombëtare. Ky dimension ekzistencial dhe edukativ i përditshëm tregonte se emancipimi nuk mund të realizohet vetëm përmes teorisë, por kërkon përkushtim, sakrificë dhe përballim aktiv të realitetit.
Mësimi në Institutin Qiriazi ishte i ndërtuar në mënyrë të integruar, duke përfshirë gjuhën shqipe, historinë kombëtare, lëndët praktike dhe aktivitete kulturore. Por më shumë se kaq, ai shërbente si një hapësirë për zhvillimin e mendimit kritik dhe vetëdijes filozofike. Nxënëset përballeshin me pyetje që tejkalonin memorien: si mund të ndërtohet një identitet i fortë kombëtar në një shoqëri të fragmentuar? Çfarë rol luan arsimi në emancipimin gjinor dhe integrimin social? Këto pyetje nuk ishin thjesht akademike, por misionare, duke forcuar lidhjen midis dijes, moralit dhe identitetit kombëtar.
Më 5 mars 1926, mësueset dhe nxënëset marshuan nga Tirana në Kamëz për të filluar punimet e ndërtesës së re. Ky marshim nuk përfaqësonte një ceremonial; ai simbolizonte udhëtimin pedagogjik dhe filozofik të Institutit çdo hap ishte një përpjekje e ndërgjegjshme për të krijuar një hapësirë ku arsimi do të shërbente si mjet emancipimi dhe forcimi i identitetit kombëtar, pavarësisht atij ortodoks të motrave Qiriazi dhe Dakos.
Më tej, vendosja e gurit të themelit më 11 prill 1926 ishte një ngjarje me rëndësi historike dhe simbolike. Ceremonia, megjithëse e thjeshtë, përmbante një ritual ku çdo pjesëmarrës, qoftë përfaqësues i departamentit të arsimit, prifti katolik, apo nxënëset dhe familja Qiriazi, kishte një rol të veçantë. Guri i themelit nuk përfaqësoi vetëm elementin ndërtues, por një simbol i vazhdimësisë historike, i përkushtimit dhe i bashkëpunimit ndërbrezash për realizimin e një misioni kombëtar të familjes ortodokse Qiriazi. Kjo simbolikë filozofike dhe pedagogjike pasqyronte bindjen se ndërtimi i një shkolle nuk përbënte thjesht akt teknik, por një akt moral dhe qytetar që formon ndërgjegjen dhe karakterin e atyre që janë pjesë e saj.
Projekti për ndërtimin e ndërtesës së re të Institutit, nën drejtimin e Kristo Dako, përfaqësonte një moment të rëndësishëm në historinë e përpjekjeve arsimore të familjes Qiriazi. Në thelb, kjo ndërmarrje përveçse një projekt ndërtimi, formatoi një vazhdimësi organike e misionit që kishte filluar dekada më parë me themelimin e shkollës së vajzave nga familja Qiriazi. Që prej vitit 1891, kjo shkollë ishte përfytyruar dhe përjetuar si një “fole kombëtare”, një hapësirë ku arsimi do të ushqente vetëdijen dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare. Në këtë kuptim, sfida e çuarjes përpara të një projekti kombëtar nuk mbetej në rrafshin e ideve dhe të programeve pedagogjike; ajo kërkonte edhe ngritjen fizike të një hapësire ku ky ideal të merrte trajtë konkrete.
Kujtimet e Sevasti Qiriazit ofrojnë një dritare të çmuar mbi mënyrën se si ky ideal u materializua përmes punës së përditshme dhe përkushtimit familjar. Ajo kujton se sapo u sigurua tapia për tokën, Kristo Dako nisi menjëherë të projektonte planin e ndërtesës kryesore. Edhe pse pati përparësinë të këshillohej me dy ose tre arkitektë dhe të konsultonte disa libra të specializuar, ai vendosi që projekti të mos ishte një kopje e thjeshtë e modeleve ekzistuese, por një plan i formësuar sipas vizionit të tij. Kjo zgjedhje simbolizonte edhe vetë frymën e nismës: një institucion i menduar për të ardhmen e kombit duhej të kishte një formë që buronte nga përvoja dhe aspiratat e vetë atyre që po e ndërtonin.
Procesi i ndërtimit u shndërrua kështu në një përvojë familjare e kolektive, ku ideali kombëtar dhe puna fizike u ndërthurën në mënyrë të pandashme. Gjatë muajve të verës, siç kujton Sevasti, e gjithë familja u përfshi në transportimin e materialeve të ndërtimit. Motra e saj, Parashqevi Qiriazi, transportonte rërë, zhavorr dhe gurë me një kamion Ford, ndërsa në raste të tjera edhe djemtë mbartnin tulla që prodhoheshin në mjediset e institutit nga një grup romësh të ardhur nga Elbasani. Në këtë mënyrë, hapësira e institutit ishte një bashkëpunim pune ku secili në familje kontribuonte sipas mundësive të veta në ngritjen e Institutit që do të shërbente për brezat e ardhshëm. Ndërkohë, Kristo Dako mbikëqyrte të gjithë procesin e punimeve, duke ndjekur çdo detaj të realizimit praktik dhe duke siguruar që projekti të merrte formën e menduar.
Vetë Sevasti përshkruan një përpjekje të jashtëzakonshme personale në këtë proces. Ajo tregon se bënte vazhdimisht udhëtimin midis Tiranës dhe Durrësit, rreth dyzet kilometra larg, deri në tri herë në ditë, për të ndihmuar në transportin e çimentos, lëndës drusore, hekurit dhe materialeve të tjera ndërtimi të sjella nga importi. Dy udhëtime kryheshin para dreke dhe një tjetër pasdite, me një tjetër kamion Ford, duke e shndërruar këtë rrugë të përditshme në një lloj rituali pune dhe përkushtimi. Në këtë përvojë të përditshme udhëtimi, lodhja fizike përzihej me bindjen se çdo ngarkesë e sjellë dhe çdo material i dorëzuar në kantier përbënte një hap të vogël drejt realizimit të një ideali më të madh.
Kështu, ndërtimi i ndërtesës së Institutit mori një dimension që kapërcente kuptimin e zakonshëm të një projekti arkitektonik. Ai u shndërrua në një akt të ndërgjegjshëm sakrifice dhe solidariteti familjar, ku çdo anëtar i familjes kontribuonte në mënyrën e vet për realizimin e një vizioni të përbashkët. Çdo gur i vendosur dhe çdo tullë e mbartur nuk ishte vetëm pjesë e një strukture ndërtimore, por një shenjë e përkushtimit ndaj arsimit dhe ndaj së ardhmes së kombit. Në këtë mënyrë, “foleja kombëtare” e përfytyruar nga familja ortodokse Dako e motrat Qiriazi nuk u ngrit vetëm mbi plane arkitekturore, por mbi përvojën konkrete të punës, sakrificës dhe në të vetmin besim dhe mision se arsimi ishte një nga themelet më të forta mbi të cilat mund të ndërtohej shoqëria shqiptare.
Trashëgimia e Institutit Qiriazi nuk mund të kuptohet vetëm nga numri i nxënëseve të diplomuara apo madhësia e ndërtesës. Ajo qëndron në ndikimin e saj afatgjatë në shoqëri: promovimin e arsimit të vajzave, afirmimin e identitetit kombëtar dhe demonstrimin e një modeli bashkëjetese fetare dhe sociale. Ky institucion përfaqëson një paradigmë edukative ku arsimi, morali, filozofia dhe qytetaria ndërthuren, duke krijuar një rrugë për emancipim dhe përparim shoqëror që mbetet frymëzuese edhe në kontekstin bashkëkohor.

Ksisoj ndodhte 80 vite më parë!
Vetëm kjo shkresë do te mjaftonte per të provuar genocidin dhe Krimet kundër Njerzimit ushtruar nga byroja politike dhe partia e punës mbi popullin shqiptar.
Perktheuani francezëve qe ndodheshin ne vilën -enver ose jepuani mediave qe i bëjnë jehone fishekzjarreve si gjoja dhunë mbi muret e diktatures , diktaturë e cila shembi jete , dogj shpirtra e penalizoi pafundesisht nje popull.
Lavdi u qofte martirë te klerit dhe Kombit shqitar.
Artan Lleshi Gjomarkaj


Ekrem Libohova — Burimi: Le Soir Illustré, 19 maj 1934, faqe n°3.
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Mars 2026
Revista belge “Le Soir Illustré” ka botuar, me 19 maj 1934, në faqen n°3, një shkrim asokohe rreth emërimit ambasador të Ekrem Libohovës në Belgjikë, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Ekrem Libohova, ministër i Shqipërisë

Burimi: Le Soir Illustré, 19 maj 1934, faqe n°3.
Ministri i ri i Shqipërisë në Belgjikë, Ekrem Libohova, i dorëzoi të martën letrat kredenciale mbretit Leopold.
Ekrem Libohova nuk është i panjohur për ne, pasi një pjesë të studimeve të tij i ka kryer në Bruksel.
I lindur në vitin 1882 në një fshat të jugut të Shqipërisë, pasi mësoi gjuhën e vendit të tij, ai u kthye në Kostandinopojë. Pasi përfundoi studimet e mesme në liceun e Galata-Serait, u nis për në Belgjikë dhe vazhdoi studimet atje.
Pas Luftës Ballkanike që i dha fund sundimit osman në Ballkan, dhe pasi Shqipëria shpalli pavarësinë e saj, Ekrem Libohova zgjodhi të shërbejë për vendin e tij.
Shumë i vlerësuar, ai iu përkushtua me zemër Shqipërisë, duke vënë në shërbim të saj njohuritë e tij të shumta. I pajisur me një talent të jashtëzakonshëm, Ekrem Libohova, pas një misioni të rëndësishëm diplomatik në Romë, u thirr nga mbretëria e re dhe u bë një nga përfaqësuesit kryesorë të shtetit shqiptar.
Në vitin 1929, Ekrem Libohova u caktua për të përfaqësuar mbretin Zog në Paris. Disa muaj më parë, diplomati i shquar u thirr gjithashtu në postin e rëndësishëm në Bruksel.
Vdekja e mbretit Albert e vonoi udhëtimin e Ekrem Libohovës, i cili u detyrua të ndryshonte në Tiranë letrat kredenciale që fillimisht ishte ngarkuar t’ia dorëzonte sovranit tonë të ndjerë.
Ministri i ri i Shqipërisë në Belgjikë, me të cilin patëm një bisedë të gjatë, na shprehu gjithë gëzimin e tij që përfaqëson vendin e tij në Bruksel, ku ka ruajtur kaq shumë miq.
“Dëshiroj,” na tha ai, “dhe të gjitha përpjekjet e mia do të synojnë këtë qëllim, të zgjeroj marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe kulturore midis dy kombeve. Megjithë distancën që i ndan, Belgjika dhe Shqipëria janë të destinuara të kuptohen mirë me njëra-tjetrën.”
Ekrem Libohova na kujton më pas se në vitin 1929 ai erdhi personalisht për t’i dorëzuar mbretit Albert « le Collier d’Albanie », dekoratën më të lartë të vendit të tij.
Melbourne 2010
Ua kushtoj të Parëve të mi,
Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,
dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,
që menduen, punuen e u salvuen
për Shqipninë Europjane të
Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Autori
Melbourne, Gusht 2010.
Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.
82 VJETË MA PARË…ATËHERË,
“KUR PATEN HY KËTA..!”
Edhe pse të veshuna me borë e akull si çmos asnjë vjet, tymnaja e zezë e komunizmit pushtoi edhe majat ma të nalta të Alpeve tona, të pashkeluna kurrë nga pushtuesit shekullorë…
Ra Hoti e Gruda, ra Kelmendi e Dukagjini, ra Dibra, Mirdita e Puka, ra Kosova e Shkupi, ra Korça e Gjinokastra, ra Çamëria, ra Jugu e ra Veriu…Ulqini e Tivari u banë gropa vorrimi për vëllaznit tonë Shqiptarë të Kosovës, të premë në besë… nga “herojt e popullit” Enver Hoxha, Ramiz Alia, Omer Nishani e sa tradhëtarë të tjerë…
Në sfondin e zymtë të tallazit t’ Adriatikut të çuem peshë, Flamuri i Skenderbeut përdhoset me yllin e kuq…
Malësori nuk do të përshëndesë ma “tungjatjeta!”, por do të shkapesë përballë grushtin partizan. Kryet e vendit në sofer do ta zanë serbët, malazezët e sherbëtorët e tyne, bolshevikët tanë, tue ngritë dollitë e tue urue jetë të gjatë Titos e Stalinit. Besa, bujaria e burrnia do t’u lëshojnë vendin tradhëtisë, turpit dhe frikës, që nuk do t’i ndahën Shqiptarit për sa e sa vjet…Portaria e shtëpisë nuk do të mbyllet ma, cilido anmik hyn e del si në shtëpinë e vet.
Lahuta nuk do t’u këndojë ma armëve të lirisë.., por do t’i ulërijnë ariut të Gjeorgjisë…Ja, edhe një popullore nga Jugu: “Enver, Koçi ka parë ëndërr, Shqipërinë nuse, Titon dhëndërr…” – dhe vazhdonte kori partizan eeeeeeeee…Asht ajo kangë që fëmijtë e tyne e këndojnë edhe sot..!
Edhe për një grusht katolikë që mbetën ndër ata Troje, do të vërriste tradhëtari i Atdheut, pikërisht udhëheqësi i Partisë Komuniste Shqiptare, katili gjakatar Enver Hoxha, ai që kurrë s’asht kenë udhëheqës i asaj pjese Katolike të Popullit Shqiptar, por edhe do ta linte të shkrueme: “…meqenëse, katoliçizmi shqiptar, dhe në veçanti kleri, ishin pengesa më e madhe për triumfin e komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata.” (E.H, V.I, fq. 438, 1974.).
Porosia e Leninit, e lanun që në vitin 1922, ishte: “Duhet të angazhohemi në luftë përfundimtare kundër klerit reaksionarë, të asgjësojmë qëndresën e priftërinjve dhe të murgeshave me një mizori të tillë, që ta mbajnë mend me dekada të tëra.”
Terrori në masë, si mjet qeverisje, kishte fillue që në vitin 1944 në Jug të Shqipnisë dhe, me largimin e trupave të hueja, kjo luftë vëllavrasëse shpartalloi edhe Veriun, tue fillue nga Kryengritja e Prenkë Calit në vitin 1945, rezistenca e “Besëlidhjes së Veriut”, rezistenca e Berdicës dhe Anës së Malit, luftëtarët e shpellave të Dukagjinit, me Heroin Gjergj Vata etj., në Pukë me Mirakajt dhe të pathyeshmit e Mirditës, Mark e Llesh Gjomarkaj. Alush Leshaku do të shkruente me germa t’arta Epopenë e qendresës në Shqipninë e Mesme, me çetën e Sulë Selimes…
Në muejt janar e shkurt të 1945, tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia kishin “vistue” garancitë e tyne tek “shoku” Tito me vrasjen dhe humbjen e ma shumë se 12.000 vëllazënve shqiptarë të Kosovës, vepër për të cilën krimineli i Luftës Ramiz Alia e ka vendin në dhomen e mbetun “bosh” të mikut të tij Millosheviç.
Shqipnia kishte hy në vathën “bolshevike” të Jugosllavisë Titiste e, bashkë me te, nën sundimin stalinist të Rusisë, qysh me 29 nandor 1944…
Enver Hoxha tashti i paisun me “mburojen” e trathtisë së Atdheut dhe i deklaruem zyrtarisht “vasal” i Jugosllavisë, fillon veprimet e tij në drejtim të prishjes së “urave lidhëse” të Shqipnisë me Europën Perëndimore.
Pa përfundue Lufta e Dytë Botnore, ashtu si pat veprue për lanjen e Kosovës dhe Trojeve Shqiptare nën sundimin e Jugosllavisë, në Mukje, me atë model të instruktuem nga padroni Tito, me 21 Prill 1945, kur delegati apostolik i Vatikanit në Shqipni Imz. Leone G.B. de Nigris, do të shkonte në Romë për konsultime të veta si zakonisht ndër ato situata të krijueme nga Lufta, qeveria provizore “kukull” e Tiranës, i premton Atij: “Liri të plotë të Kishës Katolike dhe marrëdhanje të mira me Vatikanin” (po aty, Prof. Z.Mirdita, fq. 212).
Porsa delegati Nigris kthehet në Tiranë, në ditët e para të majit 1945, Ai nuk lejohet me shkue në selinë e Tij në Shkodër, mbasi cilësohet se asht “persona non grata”, gja e cila e detyron me thirrë Argjipeshkvin e Shkodrës, Imz. Gaspër Thaçin, për me i lanë porositë për t’ ardhmen. Për arësye shëndetësore Argjipeshkvi nuk mundet me shkue në Tiranë, por dergon Famullitarin Don Tomë Laca dhe sekretarin e vet Don Mark Hasi, të cilët shkojnë dhe marrin porositë e Tij. Zv. Delegat të Vatikanit Ai len porosi me kenë Imz. Frano Gjini, deri atëherë Abat i Mirditës. Ky do të vazhdonte derisa Vatikani do të sillte dokumentin e emnimit me shkrim. Përsa i përket marëdhanjeve me shtetin komunist, ishte gjithshka e qartë për të dy palët, mbasi “moslejimi i delegatit L. Nigris me qendrue këtu, tregonte edhe këputjen e marëdhanjeve të qeverisë shqiptare me Shtetin e Vatikanit, ndonse ky veprim binte në kundershtim me vendimin e vet, që qeveria shqiptare i kishte komunikue me datën 21 prill 1945, para se po Ky delegat do të nisej për Vatikan”. Gati mbas 20 ditësh, kur L. Nigris nuk ishte ma në Shqipni, me datën 24 maji 1945, qeveria shqiptare lëshon edhe vendimin me shkrim që i dergohet Vatikanit.
Por E. Hoxha nuk mjaftohet vetëm me premjen e marëdhanjeve diplomatike…Duhej shembë “Ura lidhëse” e Shqipnisë me Europën.
E kjo “urë” shekullore…kishte themele, “Gurtë’” e të cilit ishin të pathyeshëm, të palëvizëshëm, të qëndrueshëm, të vendosuna mbi Gjakun e Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, Besnike e Përjetëshme e Porosisë së Imz. Pal Engjëllit, që la me shkrim në vitin 1462 e që vazhdonte me kenë e daltueme mbi “Vorrin” e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, Aty, ku asht sot e që Ky Kler, vazhdonte me u betue.., Me u betue mbi Elterin e Shejtë të Atdheut..! Në Janarin e 1945, asht i pari At Mati Prennushi, Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë në Kuvendin e Gjuhadolit në Shkodër, që me rastin e vizitës në atë kuvend të kriminelit Shefqet Peçi, e pak ditë mbas tij të terroristit Mehmet Shehu, ua përplasë ndër sy të dyve, se: “Lidhjet me Papën dhe Vatikanin nuk mund të shkëputën kurrë e për asnjë arësye.”
Ky ishte sinjali i parë gjoja i një “Kishe Katolike Kombëtare” për të cilën nuk u shuen përpjekjet asnjëherë edhe pse Enver Hoxha e Ramiz Alia përdorën Genocidin komunist bolshevik për zhdukjen jo vetëm të Saj, por edhe të të gjithë Atyne Shqiptarëve që ishin të Pagëzuem Katolikë.
Mbas largimit të Delegatit Apostolik nga Shqipnia, shteti komunist fillon haptas masat e veta, tue i kombinue me ato ekonomike, të shfaquna direkt me shtetëzimin e tokave të Kishës dhe marrjen e pronave të tjera të saj.
Reforma tjetër kundër Fesë vazhdon po në Maji të vitit 1945, kur mbyllen shkollat fetare. Asnjë qeveritar nuk pranon në takim Prelatët e Klerit për sqarim problemi. Fillojnë presionet kundër Argjipeshkvit të Durrësit dhe Tiranës, Imz. Vinçenc Prennushit, po në lidhje me shkëputjen nga Vatikani si dhe represionet që i bahen elementit katolik në Shqipni. Vazhdojnë përpjekjet e qeverisë me Imz. Luigj Bumçin, i cili edhe vdes ato ditë, dhe pasojnë me Zv. Delegatin Apostolik, Imz. Frano Gjinin, i cili jo vetëm që nuk pajtohet, por edhe proteston për reprezaljet që komunistët ushtrojnë haptas kundër intelektualëve shqiptarë të Veriut, të cilët përbuzen dhe denigrohen si miq të pjesës së popullsisë katolike, që tashma asht e cilësueme haptas “e padëshrueshme” nga pushteti bolshevik i komunistëve. Në këte kasaphanë përshkohen edhe shumë intelektualë muslimanë e ortodoksë, të cilët nuk pajtohen me veprimet e hapta anadollake e fanatike të udhëheqësit të shtetit bolshevik E. Hoxha me pasuesit e tij.
Në gjyqin e Prof. Filip Fishtës, avokati Kol Dhimitri deklaron: “Filip Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e tij, të cilat janë aq të vlefëshme dhe të çmueshme, sa është e madhe vobegsia jonë letrare. Nga ana tjetër, si mund të bëhët vëgël informator një shkencëtar, që gjithë jetën e tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje të idealeve kombëtare. Kërkoj që të merrën si shkaqe lehtësuese veprimet kombëtare.” (Dosja 7842, Arkivi M.Mbrendshme Tiranë 1998.)
Ndersa turma e oficerëve të sigurimit që ka mbushë lozhat e sallës së kinemasë së Tiranës, thërret: “Avokati është tradhëtarë, duhet varur në litar..” E mbas një viti po e njajta ngjarje përsëritet në sallën e kinema “Rozafat” në Shkoder kundrejt avokat Myzafer Pipës, vetëm se asht tue mbrojtë një Klerik antifashist, të cilit Enver Hoxha, me porosi të spijunëve jugosllavë, jo vetëm i jep “plumbin ballit”, por edhe masakron në mënyrë shnjerzore edhe avokatin e tij mbrojtes, i cili vdes tue u torturue ndër duert e kryetarit të degës së mbrendëshme të Shkodrës, Zoji Themeli, poaq kriminel sa prokurori i çashtjes, famëkeqi Aranit Çela. Në fund të vitit 1945, kur sigurimi i shtetit zbulon Organizatën e Parë Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” të formueme nga Mark Çuni, Organizatë me parime të vërteta demokratike, mbasi mendon dhe punon për zgjedhje të lira dhe me parime europjane Perëndimore, por e padëshrueshme nga terroristi E. Hoxha, i cili punonte që më 1941 për terrorizmin shovenist bolshevik stalinjan dhe jo për Shqipni Demokratike, përfundon me shkatrrimin e plotë të organizatës dhe pushkatimin e të gjithë organizatorëve të saj, tue përshi edhe tre Klerikë të pafajshëm, vetëm për përmbushjen e qellimeve të terroristëve jugosllavë kundër Klerit Katolik, që me komunistët bolshevikë, ata me kambngulje kërkojnë shkëputjen e Shqipnisë së robnueme nga Europa.
Dështimi i Lëvizjes së Postribës me 9 Shtator 1946, do të sjelli atë tragjedi, që rrallë herë ka mujtë me pa Populli i Veriut me qendër Shkodrën, ku kishte 26 burgje të mbushuna plot me atdhetarë nga të gjitha shtresat, tue fillue nga fshatarë analfabetë e deri tek studenta e deputetë të Kuvendit Popullor. Pikërisht në këte valë arrestimesh, torturash e vorfnije, pushkatimesh e internimesh, zhdukjesh pa gjyq e me gjyq, dhe përndjekjesh të panumurta në masë, Sigurimi i Shtetit, nën udhëzimet e padronëve jugosllavë, organizon ngjarjën ma të shëmtueme kundër Klerit Katolik Shqiptar, ashtu si kishin veprue “specialistët” e KGB-së sovjetike në Rusi, Poloni, Kroaci, Mal të Zi, dhe tashti në Shqipni, në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, në Shkoder, me 16 Nandor 1946; në mengjes herët, pa dalë drita e datës 17, fusin arsenale armësh nën Elterët e Kishës dhe akuzojnë Françeskanët si organizatorë të “një kryengritjes së armatosur kundër Pushtetit Popullor…”. Kuvendi u këthye në burg…, dhe, thirrej “Burgu i Kishës së Fretënve”.
Për masakrat e torturat çnjerëzore të bame mbi ata të mjerë që vuejten në këte hetuesi, vite ma vonë do të dëshmojnë bashvuejtësit e asaj kohë: Adem Bazhdari, Drita Kosturi, Ragip Meta, Elez Troshani, Hafiz Derguti, Hoxhë Xhemal Najpi, Terezina Pali, Viktore Kuka, Ana Daja, etj., që janë një libër në vedi.
Mija e mija faqe procesh fallse, mija e mija shpifje e trillime, mija e mija orë dite e nate me hetime, tortura, masakra të pashembullta, shpifës e spijunë hetuesë, që errën e çohën tue plotësue dosje të përgatituna nga ky skenar makabër, tue xhirue mija metra film për me kënaqë “druzhe Titon e baba Stalinin..,” me dhunimin që po i bahej Kerit Katolik Shqiptar. Ky ishte roli që luenin komunistët shqiptarë, në forcimin e simpatisë prej jugosllavëve, ky ishte qendrimi i paturp antikatolik, ky ishte kurbani që komunistët e tradhëtarët shqiptarë i dhuronin anmikut shekullor serb, vetëm e vetëm që Enver Hoxha me pasues me sigurue karrigat e veta në pushtetin gjakatar. Seksioni Katolik i Degës së Punëve të Mbrendëshme në Shkodër, nuk i shuente dritat as ditën as natën, ku kriminelat terroristë të Sigurimit të Shtetit ishin lëshue si bishat me shkye njerëzit e veshun me zhgun e veladon e, këta kafshë t’egra ishin vetëm pjellë e shkollës së krimit të partisë komuniste bolshevike dhe që punonin për sigurimin e kolltukut: Hulusi Hako, Dilaver Sadiku, Zoji Themeli, Spiro Pano, Mestan Ujaniku, Aranit Çela, Misto Bllaci, Dali Ndreu, Qamil Gavoçi, Hysni Ndoja, Lilo Zeneli, Fadil Kapisyzi, Bastri Beqiri, Anastas Koroveshi, Pjerin Kçira, Ali Xhunga, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Zoji Shkurti, Kasem Troshani, Nexhat Hysejni, Mustafa Iljazi, Thoma Rino, Xhevdet Miloti, Ali Çorri, Nevzat Haznedari, Cuf Lohja, Ndrekë Nallbani, Jonuz Dini, Hamdi Ulqinaku, Namik Qemali, Dulaq Lekiçi, Elez Mesi, etj. etj., që edhe sot rrashtat e tyne vrrasin si qentë e terbuem nga vorret e mermerit: “Plumbin ballit Priftërinjëve Katolikë Shqiptarë dhe inteligjencës përparimtare!…”. Mbas 16 muej përpjekje për me provue akuzat fallse, tue mos mujtë me realizue asnjë nga “gjyqet e popullit” ashtu si donin padronët jugosllavë e sovjetikë, ndër skutat e errta të bodrumeve të hetuesive, pa dije të asnjë vezhguesi apo avokati, u zhvilluen “gjyqet” e mëshefta, dhe u mbyllën dosjet pa i pa njeri fare me sy Ata Herojë, as ditën e egzekutimit.
Hetuesit katilë, edhe pse bajnë njëmijë të zezat mbi trupat e Klerikëve të pafaj, përgjegja asht vetëm një: “Na nuk kemi futë armë në Kishë, as nuk dimë kush i ka vue ato nën Elterë!..”
U arrestuen: Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imz. Nikollë Deda, At Mati Prennushi, At Çiperian Nika, At Donat Kurti, At Pal Dodaj, At Frano Kiri, At Bernardin Palaj, At Buon Gjeçaj, At Aleks Baqli, At Gjon Karma, At Mëhill Miraj, At Çiril Cani, At Leon Kabashi, At Rrok Gurashi, Don Mark Xhani, Don Tom Laca, Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Don Nikollë Shelqeti, Fra Ndue Vila, Fra Zef Pëllumbi, etj.
Me datë 11 Mars 1948, në orën 05.00 të mëngjesit, në Zallin e Kirit, pranë Rrëmajt, (në tokën e Zef Sylës) u pushkatuan këta Prelatë të Klerit Katolik Shqiptar: Imzot FRANO PJETER GJINI, Regjent i Delegacionit të Vatikanit në Shqipni, Imzot GJERGJ VOLAJ, Ipeshkëv i Sapës, Imzot NIKOLLË DEDA, Ipeshkëv, At MATI PRENNUSHI OFM, Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. At ÇIPRIAN NIKA, OFM, Rektor i Françeskanëve të Shkodrës.
Fjala e Tyne e fundit ishte: “Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa! Po vdesim në krye të detyrës të pafajshem! Rrofshin Katolikët! Rroftë Shqipnia! Ua bajmë hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (Dosja 1302/2A. Arkivi M.M.Tiranë.)
Me Këta Martirë u pushkatuen edhe Atdhetarët: CIN SERREQI; Ing. FAHRI RUSI, DULO KALI; GULJELM SUMA; MURAT HYSEN HAXHIJA, BILBIL HAJMI, Mësuesi PJETER P. PALI, GASPER SIMON GASPRI, XHELAL HARDOLLI, ABDULLAH KAZAZI, CAF DRAGUSHA dhe ZEF KOL PRELA.
Ndërsa arrestimet vazhdojnë, projekte të reja vijnë nga Moska stalinjane për vazhdimsi terrori deri në shkëputjen e plotë nga Vatikani.
Stalini dhe Enver Hoxha ma në fund përqafohen dhe puthen tue i shtërngue dorën fort njeni tjetrit në premtimin e ruejtjes së kolltukut të Enver Hoxhës, mbas prishjes formale me Titon, tue i sigurue njenitjetrit “besnikni” komuniste, mbrenda blokut komunist ku tashti janë të gjitha shtetet e “demokracive” popullore e socialiste, satelite të B. S.
Enver Hoxha i siguron se Shqipnia do të vazhdojë luftën për të forcue lidhjet me Lindjen komuniste, simbas porosisë së diktatorit Stalin, mësuesit dhe udhëheqësit shpirtnor të tij, i cili asht i knaqun me të gjitha veprimet që tradhëtari i Popullit shqiptar asht tue ba në favor të padronit të kampit socialist, Stalinit “math”, “shpëtimtarit” të njerëzimit…
Po qendrimi i injorantit Enver Hoxha kundrejt inteligjencës sonë cili ishte? Për këte do të ju paraqes pak rreshta nga procesi kundër një avokati të njohtun në Shqipni në vitin 1946 – 47, kundër av. Paulin Palit:
“Në 1942-43 isha në Kosovë. Mbas 1944 erdha në Shkodër. Për çlirimin e Shqipnisë pa Kosovën, e kam konsiderue nji gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare dhe asht marrë padrejtësisht nga shovenistët serb. Me forcë nuk mund ta marrim, por me drejtësi internacionale dhe simbas Bllokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo mund të zgjidhesh në mënyrë miqësore.
Korça dhe Gjinokastra janë shqiptare dhe i kërkon Greku. Mendimi i em për Kosovë ka kenë arësyeja ekonomike, politike, kombësia. Unë nuk dij nëse populli kosovar rron i lirë apo jo, por minoritetet në vendin tonë rrojnë njësoj, edhe popujt e Maqedonisë e Kosovar rrojnë si këtu, thoni ju, unë s’e dij! Populli shqiptar vllaznohet me shqiptarin. Idetë e mia kanë kenë këto dhe, me ke kam njoftë kam bisedue dy-tre herë, kur më asht paraqitë rasti. Andrra ime ishte nji Kosovë e lirë! Por në konfërenca nuk kam bisedue me popull, se atë liri nuk e kishim mbas shlirimit, por me shokët e mij si: Galip Juka, Adem Bazhdari, Muzafer Pipa, Ragip Meta etj., kam folë. Jam fajtor vetëm për politikën që kam ndjekë kundër gjykatave ushtarake, për Kosovën, dhe politikën kundrejt Bllokut antifashist ndaj vendit tonë, mbasi i konsideroj të padrejta”.
Gjykata e Naltë mblodhi Këshillin e saj me datën 23 mars 1948 dhe me vendimin nr.108, e përbame nga : Kryetar, major Niko Çeta, antarë, kap. I Nexhat Hysejni dhe kap II Mustafa Iljazi, asistent, aspirant Thoma Rino, prokuror ushtarak i Ushtrisë K. Shqiptare, kap. I Nevzat Haznedari, vendosi: “Refuzimin e kërkesës së të pandehurve për falje jete, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës 1. PAULIN PALI 2. KOL PRELA. Mbetet në fuqi edhe shtetizimi i pasurisë.”(dosja 1333).
Kështu u mbyllë edhe një dosje, po “fjala e fundit” e tyne nuk u dijt kurrë, as vendi ku u egzekutuen këta Burra, as kush ua dha atë të shkretë “plumb mbas koke”…sepse donin “Shqipninë Demokratike”, donin Shqipninë të bashkueme me Kosovën…
Ky “faj” i Tyne nuk falej!
Fillojnë përpjekjet e dyta për shkëputje nga Vatikani nga qeveria shqiptare, mënjëherë mbas pushkatimit të Prelatëve të Kishës Katolike, por edhe këto pa sukses si të parat. Hartohet nga shteti komunist, me porosi si gjithnjë të Moskës, “Projekti i Statutit të Kishës Katolike Shqiptare”, ku Enver Hoxha nuk do të kursente asgja për aprovimin e tij, me të gjitha mjetet e terrorit dhe të pabesisë karakteristike të tij.
Nga Kleri Katolik ngarkohet Don Kolec Prennushi, i porsa liruem nga hetuesia mbas 11 muej torturash, për shqyrtimin e Projektit të Statutit. Ja konkluzioni i Tij i shpjeguem nga At Kondrad Gjolaj (1995): “Kisha Katolike nuk mund të jetë kurr nacionale, ndonse, Ajo nuk asht kundër nacionalizmit.
Ajo nuk pranon asnjëherë identifikimin e Fesë me Kombin. Në pamjen e tyne kristjane dhe teologjike ky identifikim asht i papranueshem dhe jashta kohe, sepse Feja do të shndrrohej në ideologji, që nuk asht tjetër veçse tjetërsim i Dogmave të Vërteta të Kishës sonë Katolike dhe Apostolike, Dogma, të cilat asnjëherë nuk janë kundër dashnisë që besimtarët shqiptarë kanë tregue për nacionalen e tyne.” Dhe, në shpjegimin e atyne ngjarjeve, At Kondrad Gjolaj, i pranishëm vetëm ndër dy mbledhjet e para të bame në Argjipeshkvinë e Shkodrës, shkruen:
“Don Koleci tha: Këta do të na kërcënojnë se do të mbyllim Kishat tueja, në kjoftë se nuk e aprovoni këte Projekt Statut, kështu si asht këtu. Ky Projekt nuk duhet aprovue prej nesh, se edhe mbas aprovimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prapseprap. Jam i sigurtë se do t’ na thonë që do t’ ju vrasim, por asht ma mirë me e ba shka kanë ndër mend sot, se ma vonë.
Le të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, se me firmue dhe, nesër, prap kanë me na mbytë, por na do të vdesim me faqe të zezë. E nuk duhet me harrue se me këta, na jemi hupë se hupë. Komunistat kështu kanë ba ku kanë marrë pushtetin, në Rusi, Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që po i njohim se kush janë. Këta janë gjithkund njësoj..!” (fq. 125).
Don Kolec Prennushi me 2 korrik 1950 vdiq si pasojë e torturave dhe mbas një viti, me 30 korrik 1951, Statuti i Kishës Katolike u firmue nga Kleri Katolik, me përjashtim të Don Dedë Malaj, Don Ejëll Kovaçit dhe At Kondrad Gjolaj, fundin e të cilëve e shohim në vitet 1958 – 59.
Ndërsa, Kisha Ortodokse Shqiptare e thëmelueme nga Imz. Noli, e që drejtohej nga Imz. Kristofor Kissi, me seli në Tiranë, vetëm nga idea e shprehun nga At Shtjefen Gjeçovi, se: “Imz. Kissi, Kryeipeshkëv i Beratit asht ma tepër Katolik se Ortodoks” (Prof. Z.M. fq. 209, po aty.), pëson përndjekje nga bolsheviku E. Hoxha, i cili kërkon të kundërten e asaj që i kërkon Kishës Katolike, pra, që të shkombëtarizohet dhe të bashkohet me Patriarkën e Moskës, si mbas një “Projekt Statuti të Kishës Ortodokse” të hartuem “gjoja” në Tiranë, njëherit me Kishën Katolike. Ky Projekt Statut u kundërshtue nga Imz. K. Kissi, i cili në gusht të vitit 1949 shkarkohet dhe egzekutohet nga komunistët. Ja pra, me fakte, Ajo Kishë që ishte ba kombëtare, dhe mund të bahej “urë lidhje” me Europën, duhej shkatrrue!
Me 5 prill 1950 goditja tjetër i bahet Bektashijëve dhe Sunitëve, të cilët, nuk paraqisnin problemet e Katolikëve e Ortodoksëve, mbasi edhe në “veprat” e veta E. Hoxha mundohet me justifikue qendrimin e qeverisë së tij anadollake, se: “Kleri musulman është i pangritur nga ana kulturore dhe nuk paraqet rrezikshmërinë e klerit katolik…”. Ky ishte vlersimi që i bante injoranti që drejtonte shtetin, E. Hoxha, Klerit Musliman Shqiptar.
Në vitin 1952, diktatori Hoxha organizon në Tiranë “Konferencën e Paqës” me të gjitha besimet në Shqipni. Asht një libër i botuem me të gjitha fjalimet dhe shamjet e paskrupull që “klerikët”, po i themi, por ma shumë spijunët e sigurimit të shtetit, kanë shpreh aty kundër Papës së Romës e Vatikanit. Ajo “konferencë” asht dëshmia e “hedhjes në erë” të urës sonë shekullore me Europën…Edhe pse mbas vitit 1991 kishte ende gjallë nga “ata klerikë” që kanë shpifë në atë “konferencë”, asnjeni nuk ka pasë guximin me tregue të vërtetën sesi u përgatitën fjalimet e tyne, dhe ua dhanë me i lexue “këtyne” papagalave mjeranë.
Shqipnia komuniste bolshevike tashma ishte e “lumtur” se mbrohej nga Stalini i “math” dhe, sigurisht ishte edhe pjesë e “pandarë” e kampit socialist, që “me hapa vigane” marrshonte nga “fitorja në fitorje”, drejt së ardhmës komuniste …bolshevike anti Europjane.
Shenim nga F.Radovani: Vazhdon Pjesa V
Melbourne, 6 Mars 2026.
Për shtypjen e shfrytëzimin e regjimit të Enver Hoxhës, për despotizmin e tij të shtuar në Shqipëri në periudhën në fjalë, le të evidentojmë këtu më poshtë një analizë të CIA-s, e cila flet se “gjatë javëve të fundit (shkurt 1976) situata në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm, saqë diplomatët e Tiranës thonë se vendi i ngjan një kampi të madh përqendrimi. Spastrimet masive të muajve të fundit dhe ashpërsimi i propagandës shtetërore kanë shtuar në maksimum kontrollin ideologjik dhe ksenofobinë në vend.
Qytetarët e zakonshëm tashmë kanë frikë edhe të shkëmbejnë një përshëndetje me të huajt. Spastrimi i radhëve të partisë dhe administratës, thuhet se ka nisur rreth një vit e gjysmë më parë dhe mes verës 1974 dhe pranverës 1975, janë larguar kuadrot kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes, arsyet për të cilat nuk ka informacion dhe as shpjegim zyrtar nga Tirana. Më pas u shkarkuan dhe tre drejtuesit kryesorë ekonomikë, dy prej të cilëve kanë qenë anëtarë të vjetër të Byrosë Politike. Tashmë duket qartë se të gjithë zyrtarët janë kapur nga vala e parë e spastrimeve kundër “burokracisë” së tepërt. Pjesën më të madhe të goditjes e pësuan stafi i ministrive, qeverisja lokale dhe institucione të tjera si mediat shtetërore. Një tjetër aspekt kritik i spastrimeve, është zbatimi i “rotacionit” si një mjet i rëndësishëm për shërimin e burokracisë, por sigurisht që efektimi i tyre kryesor është krijimi i sensit të përhershëm të mungesës së stabilitetit të burokracisë, për ta bërë sa më të vështirë lindjen e mundshme të çdo lloj opozicioni. Mungesa e besimit ndaj administratës, përçmimi ndaj çdo distancimi nga shoqëria njëklasore e joprofesionistëve në rotacion dhe doktrina mizore e vetëmjaftueshmërisë, janë të gjitha shumë të shtrenjta për Enver Hoxhën. Megjithëse shkarkimet tregojnë se në ushtri, ekonomi e kulturë ekziston disidenca, provat e forta sugjerojnë se të ardhurit duhet të jenë nga radhët e partisë dhe personalisht besnikë ndaj Enver Hoxhës.
Hapat e mëtejshëm në forcimin e kontrollit të brendshëm dhe i krijimit të atmosferës së rrezikut të pushtimit të huaj, duket se kanë si objektiv kryesor Moskën. Është e qartë se Tirana ka një frikë paranojake nga Bashkimi Sovjetik, e cila është rritur shumë pas vitit 1974, kur komunistët prosovjetikë u zbuluan në Jugosllavinë fqinje. Tirana vazhdon të refuzojë ofertat sovjetike për riafrim, edhe pse është e sigurt se Moska ka vullnetin për të ofruar ndihmë ndaj Shqipërisë me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve. BRSS ka disa arsye për të dëshiruar rivendosjen e influencës së tij në Shqipëri, siç janë avantazhet strategjike të porteve të Adriatikut që i janë mohuar që prej vitit 1960, apo edhe pse e vogël goditja e kënaqësisë ndaj Pekinit, i cili ka shfrytëzuar armiqësinë e Tiranës me BRSS, për avantazhet e veta. Moska gjithashtu do të fitonte një tjetër pikë presioni ndaj Beogradit, të cilat mund t’i përdorë ndaj Jugosllavisë së epokës post-Tito. Është e paqartë sesa do të ndryshojnë politikat apo doktrina shqiptare në periudhën pas Enver Hoxhës. Indiferenca aktuale e Kinës ndaj problemeve shqiptare, ka përforcuar qëndrimin e tyre izolacionist”.16)
IMITIMI I REVOLUCIONIT KULTUROR, APLIKIM I STËRZGJATUR I USHTRIMIT TË DESPOTIZMIT
Pas ndihmave të mëdha kineze të viteve ’60-të, Enver Hoxha sikur e ndjeu veten “gjallë” dhe nisi atë që ai e ka quajtur reformim të jetës e të shoqërisë shqiptare, që në fakt nuk ishte e tillë. Këto, Enver Hoxha i bëri nën shembullin e Revolucionit të madh kulturor të Kinës dhe nën atë shembull vijoi në Shqipëri si ashpërsimin e luftës së klasave, ashtu edhe luftën kundër zakoneve prapanike dhe bestytnive fetare etj., dhe të gjitha, në kuadrin e aplikimit të despotizmit të shtuar të Enver Hoxhës. Për këtë aspekt të jetës së tij, që në fakt është gjithçkaja e Enver Hoxhës, “është thënë e shkruar duke e analizuar atë kryesisht në marrëdhëniet me demokracinë dhe me të drejtat e njeriut. Kjo është e kuptueshme, e pashmangshme dhe e domosdoshme.
Enver Hoxha-konkludon historiani Pëllumb Xhufi,-i përkiste, qysh në nisje, një bote dhe një ideologjie që e shkelte individin, liritë dhe të drejtat e tij, në emër të rendjes pas një projekti utopik që do t’u sillte të gjithëve, njëherësh e njëlloj, mirëqenien e lumturinë e kërkuar. Kundërshtarët e tij politikë, nga bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë e deri te përfaqësuesit e “klasave të përmbysura”, u dënuan me një ashpërsi që nuk e pati shoqen as në Rusinë e Stalinit. Në mënyrë të veçantë, histeria represive e shpërthyer pas vitit 1970, kur pas “kërleshjes” me SHBA dhe BRSS, regjimi bëhej gati t’i hidhte dorashkën edhe Kinës dhe për rrjedhim kishte nevojë më shumë se kurrë për një “paqe të brendshme”, nuk mund të shpjegohen veçse me një degradim politik dhe intelektual të regjimit dhe të vetë Enver Hoxhës”.15) Enver Hoxha, nga viti 1962 deri në vitin 1972, pra një dhjetëvjeçar të tërë, mori herë pas here e në vazhdimësi ndihma dhe kredi të shumta nga Kina dhe me to, për të konsoliduar pushtetin shtoi mbi shqiptarët despotizmin në të gjitha drejtimet. Ishin ndihmat dhe kreditë që i dhanë atij dorë të lirë, të shtonte shtypjen e shfrytëzimin dhe të shtonte represionin e dhunën, që nisnin që me dacibaot (flet rrufetë) e vitit 1967 dhe vazhduan deri me shtimet e arrestimeve e të dënimeve.
Shtimi i këtyre, domosdo që shtoi edhe kërkesat për shtimin e institucioneve të dënimit, të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit e të internimeve. Në se deri në vitin 1962, kishim në Shqipëri vetëm burgje e kampe përqendrimi, pas këtij viti ndryshoi nga regjimi edhe strategjia e dënimit. U shtuan dënimet me internime, jo se u shkurtuan apo mbyllën burgjet, përkundrazi burgjet e kampet e përqendrimit u shtuan me të tjerë si me burgun e tmerrshëm të Spaçit i ndërtuar në vitin 1968 dhe me 14 të tjerë të ngritur në Tiranë, Peshkopi, Burrel, Durrës, Berat, Vlorë, Elbasan, Kavajë, Kukës e Gjirokastër. Por ajo që ndryshoi ishin dënimet me internime, ku qendra të tilla u konsideruan të gjitha fshatrat më të vështira të Shqipërisë. Kjo formë u “shpik” për arsye se me gjithë shtesat e burgjeve e të kampeve të përqendrimit, ato nuk mund t’i nxinin më të dënuarit, ndaj një pjesë e seleksionuar të të dënuarve i internonin, formë që mori përmasa të mëdha në Shqipëri pas viteve 1962 e veçanërisht pas viteve 1970.
KUR I DUHESHIN FAJTORË PËR DËSHTIMET, ENVER HOXHA NXIRRTE NGA GJIRI I TIJ NJË ARMIK
Sa herë që regjimit i duheshin fajtorë për dështimet e politikës së tij ekonomike, apo për të mbytur çdo shenjë të disidencës në vend, Enver Hoxha ndërmerrte vala arrestimesh e dënimesh. As tetë burgje ekzistuese në Shqipëri nuk i përballonin më arrestimet e reja, veçanërisht ato me akuzën e agjitacion propagandës, që kanalizoheshin kryesisht si të burgosur politikë, të cilët përcaktoheshin si “armiq të popullit”. Kishte edhe shtatë të tjerë burgje për të burgosurit që përcaktoheshin si “ordinerë”, ndërsa tre burgje ishin me të dënuar të përzierë.
Me kalimin e viteve, siç e thamë edhe më lart, veçanërisht pas viteve ‘60-të, me urdhrin direkt të Enver Hoxhës u hapën burgje të reja në të gjitha qendrat kryesore të vendit, duke i specifikuar ato për të burgosurit politikë veçan dhe burgje të destinuara për të burgosurit ordinerë. Përveç burgjeve, vijoi edhe shumimi i kampeve të punës, të cilët ishin vende ku dënimi kryhej duke bërë punë të detyruar si ndërtime veprash publike, nxjerrje mineralesh apo bujqësi. Kampe të tilla, në shumicën e rasteve, kanë qenë të përkohshme (të ndërtuara me çadra apo baraka, të rrethuar nga tela me gjemba dhe ushtarë të armatosur), të cilët me kalimin e viteve, numri i kampeve të punës e tejkaloi atë të burgjeve. Njerëzit që jetuan brenda kampeve të përqendrimit anë e kënd Shqipërisë, thuhet se bënë punimet publike më të mëdha në Shqipëri, pasi ishin të detyruar të punonin në këto vepra edhe për të siguruar jetesën. Nga viti 1946 deri 1950 kampet e punës në Shqipëri ishin 20, por në periudhën e viteve 1950-1985 u ndërtuan edhe 90 të tjerë. Në këto të ashtuquajtur kampe pune, jeta ishte shumë e ashpër, siç ishte me e ashpër edhe në burgjet komuniste, ku kryesisht ishin të dënuarit politikë dhe njerëzit që konsideroheshin nga regjimi të rrezikshëm.
Të burgosurit politikë, shpesh të akuzuar edhe mbi baza dëshmish të rreme ose mbi dëshmi të nxjerra përmes torturave nga Sigurimi, nëse nuk dënoheshin me vdekje, e kalonin jetën në ato burgje dhe shpesh vdisnin në to për shkak sëmundjesh, urie ose kushtesh të vështira jetese. Kushtetuta e re shqiptare e regjimit komunist, e cila është quajtur edhe Kushtetuta e dytë e Shqipërisë Socialiste, u miratua në vitin 1976 dhe në aspektin e lirive themelore të njeriut, as që bënte fjalë, përkundrazi ajo ishte një mohuese e plotë dhe një ekzekutuese e gjitha e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Përsëri CIA, me rastin e miratimit të Kushtetutës së dytë të Shqipërisë nën Enver Hoxhën, bënte analizën e mëposhtme ku theksonte se “kjo, (Kushtetuta) nuk e lejonte përhapjen e pikëpamjeve opozitare, të cilat konsideroheshin si kërcënim ndaj “pushtetit popullor”. Qëllimi i propagandës së brendshme është ndalimi i përhapjes së ideve kundër regjimit, që mund të çojë në rritjen e rezistencës aktive. Prandaj autoritetet bëjnë një fushatë të vazhdueshme kundër zërave kritikë dhe në mbështetje të programeve të qeverisë. Regjimi angazhohet gjithashtu në fushata të gjera publicitare rreth ngjarjeve si rezultatet e fabrikave, projektet e punës vullnetare, apo arritjen individuale në prodhim.
Punonjësit e agjitacion-propagandës në gazeta e revista pretendojnë suksese të mëdha, dënojnë “parazitët” dhe theksojnë rëndësinë e plotësimit të normave të punës. Në të ashtuquajturin revolucion kulturor në Shqipëri, përfshihen gjithashtu puna vullnetare e intelektualëve urbanë në mbjelljen e tokave të reja apo projekte të tjera ndërtimi e të maskuara me sloganin e “luftës ndaj burokracisë dhe mentalitetit kapitalist”. Por efektiviteti i propagandës së brendshme, është i kufizuar nga disa faktorë, si numri i vogël i megafonave dhe mangësi të tjera teknike. Gjithashtu ekspozimi i vazhdueshëm i popullatës ndaj ekzagjerimeve dhe keqinterpretimeve të propagandës, ka krijuar edhe njëfarë apatie ndaj njoftimeve të regjimit. Mediat kryesore të shpërndarjes së propagandës së brendshme janë shtypi, radio, filmat dhe fjalimet publike. Pas vitit 1961 këto mjete janë përdorur për të kushtëzuar ndarjen me Bashkimin Sovjetik dhe afrimin me Kinën komuniste”, të cilës i bëhet një propagandë marramendëse miqësore e shpëtimtare për Shqipërinë”. 17) E veçanta rezultonte se afrimi dhe konsolidimi i miqësisë me Kinën, e bëri Enver Hoxhën më despot me popullin e tij. Në këndvështrimin e pushtetit personal të Enver Hoxhës, në kohën e marrëdhënieve “miqësore e vëllazërore” me Kinën del pyetja se cilat ishin synimet e politikës së tij të jashtme?
Sipas Enver Hoxhës, në periudhën e marrëdhënieve të mjaltizuara me Kinën, ajo kishte disa synime si, luftën kundër imperializmit e socialimperializmit dhe konsolidimin e marrëdhënieve ideologjike, ekonomike, ushtarake, kulturore etj., vetëm me Kinën. Synime të tjera të asaj periudhe nuk gjejmë në asnjë dokument, qoftë shtetëror qoftë partiak. Këtë e përligj vetë Enver Hoxha, i cili shprehej se “lufta kundër dy superfuqive e aleatëve të tyre është një detyrë imperative, që duhet kryer çdo ditë, çdo orë, në çdo fushë e nga kushdo”. 18) “Buxhetet, kreditë dhe investimet e huaja nuk janë format e vetme të bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar, siç i paraqet borgjezia monopoliste dhe revizioniste”.19) Pra siç shihet, mohohej gjithçka, mohohej baza ekonomike që është themeli i zhvillimit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare e politika e jashtme sipas Enver Hoxhës, duhet të shtriheshin vetëm në planin ideologjik, të cilit iu dha përparësi.
Partia dhe shteti shqiptar, domethënë Enver Hoxha, duke zbatuar direktivat e Kongreseve të partisë, vazhdonin të aplikonin një politikë të jashtme të quajtur “parimore” e “konsekuente” në të gjitha drejtimet e për të gjitha problemet. Po për çfarë politike të jashtme parimore mund të bëhet fjalë në atë periudhë, kur në marrëdhëniet ndërshtetërore me të tjerët, përveç Kinës, mohohej gjithçka? Politika dhe diplomacia e Enver Hoxhës pasqyroheshin në të gjitha qëndrimet e quajtura “revolucionare” për problemet e ngjarjet e mëdha ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet e shoqërisë me vendet e tjera. Po a kishte çështje “parimore” që i mbronte Shqipëria, veçanërisht për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut?! Faktet dhe ngjarjet thonë se jo. Liria e fjalës në Shqipëri ishte e ndaluar me Kushtetutë. Mendimet duhet të ishin konform politikës së partisë, asnjë mendim ndryshe nuk lejohej dhe nëse shfaqej kishte reperkuisione. Mendimet ndryshe ishin dhe dënoheshin si agjitacion e propagandë. Me këto akuza ishin mbushur burgjet, kampet e përqendrimit dhe internimet nëpër fshatra.
Nga ana tjetër, ajo e ligjshmja ishte propaganda në planin ideologjik, si qëndrimi ndaj revizionizmit e imperializmit dhe një nga objeksionet më të mëdha, ishte mbrojtja e çështjes kineze. Enver Hoxha, me “luftën ideologjike” kundër Bashkimit Sovjetik, mbështeti Kinën dhe të ashtuquajturat reforma e qëndrimet e saj si “Revolucionin kulturor proletar” dhe “Të drejtat e Kinës në OKB”, për të cilat Enver Hoxha u shpërblye nga Kina edhe fuqishëm. Në aspektin më të gjerë, Enver Hoxha me politikë “parimore” si edhe kinezët, quante edhe propagandën që bënte për luftën e Vietnamit, atë në Kamboxhia, konfliktin e Lindjes së Mesme apo çështjet e luftës kundër idesë së “Çarmatimit bërthamor e konvencional”, deri te stigmatizimi i nismës dhe procesit të “Sigurimit e Bashkëpunimit Evropian”. Dhe të gjitha këto ishin ajo diplomaci, që mund të quhet e strucit, për të cilën Enver Hoxha nuk e kishte qëllimin te gjërat “parimore” siç shfaqej, por ai e kishte te “mbledhja” e popullit jo në konceptin e mbledhjes si formë, por te përmbajtja e fjalës “mbledhje” dmth., për t’i a mbledhur popullit.
Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes
/Gazeta Panorama
Nga Ahmet Xhavit Delvina/ Nuk kam ndërmend të zgjatem në biografinë e familjes sonë, por dua të përshkruaj vetëm disa aspekte të jetës së babait, Neki Delvina, i cili u sakrifikua si shumë shokë të tij, për të quajturin “Atdheu Mëmë” dhe që i hëngri kokën padrejtësisht. U lind dhe u rrit në Stamboll në lagjen “Gallata Saraj” e si rrjedhim edhe familjarisht gëzonin nënshtetësi turke, që në kohët e hershme.
U laurua Doktor në Drejtësi në Fakultetin Juridik të Stambollit. Në vitin 1913 – 1914, pasi kreu studimet pas – universitare sipas të gjitha rregullave administrative të qeverisë Turke, e emëruan gjyqtar në qytetin turk Kars, por ai aty nuk filloi asnjëherë punë, pasi iu përgjigj thirrjes që i bëri daiu i tij, Fejzi Bej Alizoti, i cili edhe e kishte rritur, sepse i ati i tij Sherif Beu, e kishte lënë të vogël pasi kish ndërruar jetë. Thirrja ishte për të ardhur në Shqipëri, sepse nevojat për të apo profesionin e tij ishin të mëdha, sapo ishte krijuar shteti i ri shqiptar dhe Fejzi Beu mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Shtetit.
Për ardhjen e tij në Shqipëri, insistuan edhe djali i hallës tij Faik Konica, bashkë me djemtë e xhaxhallarëve, Sulejman e Namik Delvina, me motivimin se në këtë shtet të ri, duhet që edhe ai të kontribuonte për hedhjen e themeleve të drejtësisë shqiptare. Ky qëndrim apo detyrim që babai ynë kishte për atdheun e tij të vërtetë, nuk duhet që ai ta diskutonte sepse “përziente kockat e të parëve të familjes”, të cilët kishin kontribuar për këtë vend që po ri ngrihej.
Ai u bind plotësisht dhe menjëherë u nis për Shqipëri për të jetuar përgjithmonë. Ai vinte për herë të parë në Shqipëri dhe siç na thoshte vetë e pati të vështirë sa të ambientohej por s’kish ç’të bënte, dashuria për atdhe e kërkonte këtë sakrificë dhe gjithashtu përmbushte pozitivisht traditën e lashtë të një familje patriotike, siç konsiderohej e jona.
Në vitin 1914, fillon detyrën e gjyqtarit pajtues në Skrapar dhe pastaj vijon si prokuror dhe kryetar në rrethe të ndryshme të vendit, si; Lezhë, Elbasan, Berat, Vlorë, Delvinë e Tiranë, dhe pas 12 vitesh punë në këto detyra, emërohet anëtar i Gjykatës së Kasacionit në Degën Penale dhe Civile në Tiranë, deri në vitin 1944, vit që u bë i ashtuquajturi “Çlirim” i vendit dhe që u instalua përfundimisht komunizmi në Shqipëri për më shumë se gjysëm shekulli.
Qeveria komuniste e asaj kohe riemëroi përsëri të njëjtin trup gjykues, por me emërtesë të re; “Gjykata e Lartë”. Riorganizimi i pushtetit gjyqësor nuk bëri asnjë ndryshim në drejtim të personave, sepse dihej botërisht në të gjithë vendin, se ata ishin njerëz jo-politikë dhe të pa-kompromentueshëm, gjithashtu konsideroheshin si pionierët e parë apo themeluesit e Drejtësisë Shqiptare, për të mos folur pastaj për aftësitë e larta profesionale të tyre.
Mirëpo këto konsiderata apo vlerësime, në pushtetin e ri popullor gradualisht apo shumë shpejt ndryshuan, sepse nuk ju interesonte më indiferenca e tyre politike. Ata me kërkesat e reja të cilat ishin konstruktuar edhe me ligj me ngjyrime politike komuniste, kërkonin që të gjithë kuadrot e larta pa përjashtim në strukturat shtetërore, të ishin në radhë të parë njerëz politik dhe ushtarë të bindur të Partisë. Këto rekomandime duhet të zbatoheshin verbërisht, sepse tashmë Partia qëndronte mbi ligjet.
Por kushtet e reja për një pjesë dërrmuese të Kolegjit të Gjykatës së Lartë ishin të papërtypshme sepse, ata nuk mund të thyheshin në karakter pas kaq vitesh punë të ndershme që kishin bërë me përkushtim, nuk kishin si t’i pranonin këto kushte të reja, apo të hynin e të luanin role të pandershme që binin në kundërshtim flagrant me etikën e gjyqtarit, apo rregullat e drejtësisë botërore!
Ata e kishin marrë parasysh se kush do të ishin konsekuencat për këto “kokëfortësira”, por nuk do të bëheshin kurrë vegla qorre të Partisë-Shtet. Incidentet e para për babain tonë filluan menjëherë sapo ai vizitoi me të atin e xhaxhain, shokun dhe mikun e tij të ngushtë në burg, Dr. Sami Visokën, i cili asokohe akuzohej për faje politike, sepse kishte botuar një libër me titull “Nëna Kosovë”, libër i cili nuk përkonte pozitivisht me politikën aktuale Shqipëri – Jugosllavi.
Ai që predikonte patriotizëm, konsiderohej tradhtar për më tepër që ne ishim funksion i politikës Jugosllave dhe Kosovën e kishim shitur së fundmi zyrtarisht, në 27 gusht 1944, në Visa të Kroacisë, siç e kam përshkruar më lart. Këtë situatë e rëndoi shumë dhe të qenurit e doktorit në kushte paraburgimi, d.m.th. në kushte hetuesie, por që nuk u ndalua dot nga punonjësit e burgut, kur babai ynë paraqiti dokumentin si Anëtar i Gjykatës së Lartë.
Kjo vizitë u konsiderua si gabim i rëndë politik dhe kundërvënie ndaj situatë e rëndoi shumë dhe të qenurit e doktorit në kushte paraburgimi, d.m.th. në kushte hetuesie, por që nuk u ndalua dot nga punonjësit e burgut, kur babai ynë paraqiti dokumentin si Anëtar i Gjykatës së Lartë. Kjo vizitë u konsiderua si gabim i rëndë politik dhe kundërvënie ndaj rregullave të politikës së re komuniste.
Gabimi i dytë, për babain tonë, por i rëndë, ishte gjykimi i një apelimi të bërë ndaj një gjinekologu të quajtur Dr. Çupishti, kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së I-rë të qarkut Vlorë, që e kishte dënuar rëndë, për faj të pakryer. Sipas interpretimit të babait, ai dënim që i ishte dhënë nuk justifikohej sepse, nuk kishim të bënim me faj të kryer nga doktori e, si rrjedhim, babai e prishi dy herë atë vendim.
Dhe në rastin e dytë, që ai u rigjykua, pikërisht në këtë kohë ndërhyn Ndihmës-Anëtari i Gjykatës Lartë dhe njëkohësisht Sekretar i Organizatës së Partisë të Ministrisë së Drejtësisë – Bilbil Klosi, baxhanak i boshnjakut Ramiz Alia, i cili i sugjeroi babait tonë që të hiqte dorë nga këmbëngulja për pafajësinë e doktorit, sepse ishte rekomandimi i Komitetit të Partisë të Qarkut – Vlorë që ai “reaksionar” duhet të qëndronte në burg sepse paraqiste rrezikshmëri për interesat e Partisë.
“Fatkeqësisht” babai nuk u tregua i gatshëm për të plotësuar “rekomandimin”, ose më shqip urdhrin e Partisë, ai nuk i pranoi, as ndërhyrjet e disa personave me influencë në ministri, për këtë çështje. Pas dy rigjykimesh rresht në Gjykatën e Shkallës së I-rë Vlorë dhe me insistimin e vazhdueshëm të babait, deri për shkelje të të drejtave të njeriut, ai u lirua në sallën e gjyqit dhe për fat të keq tonin, ai me të dalë nga burgu ,shumë shpejt organizon një arratisje me gjithë familjen, nëpërmjet detit.
Pas këtij skandali, babai menjëherë u thirr në raport nga Ministri i Drejtësisë së asaj kohe, mostra Manol Konomi, komunist i lig dhe shumë i poshtër, për t’i shprehur se; “e gjithë kjo çështje që na turpëroi të gjithëve, biles edhe neve si Ministri, lëre pastaj si Organizatë Partie, rrodhi vetëm prej papjekurisë tënde politike, mungesën e besimit te Partia, për të mos thënë që e trajtove çështjen e Dr. Çupishtit, vetëm për të kundërshtuar Partinë me qëllim të keq, unë dëshiroj që të jetë një lapsus, se ‘përndrishe’, ti i di konsekuencat që të presin”.
– “Ti, – ju drejtua Manoli me gisht shumë i revoltuar, – sot e mbrapa duhet të kuptosh njëherë e mirë e përgjithmonë se, sugjerimet e Partisë qëndrojnë mbi ligjet e shkruara dhe mbi çdo gjë tjetër në këtë botë. A e kupton apo Jo”? Babai i shkretë pas këtij takimi me ministrin u çorodit fare, sepse kishte dëgjuar për Manol Konomin dhe Bilbil Klosin, që kishin mbaruar studimet për Drejtësi në Francë dhe mendoi menjëherë se si ishte e mundur të studioje në Perëndim për Drejtësi dhe ta përbuzje atë! “Si është e mundur të biesh aq poshtë”?
“Çudi… – Çudi…”!
Gabimi i tretë dhe i fundit i tij para se ta merrte “Ferra uratën”, ishte refuzimi për të parakaluar përpara tribunës qendrore me rastin e 1 Majit po të atij viti, duke brohoritur me entuziazëm për Partinë dhe shokun Enver. – “Unë mendova, thoshte ai – se si ne, trupi i Gjykatës së Lartë me pankarta e parulla, të parakalojmë përpara Enver Hoxhës, ku me siguri aty do të jenë edhe diplomatë të Përfaqësive të Huaja Diplomatike, duke thirrur ‘Rroftë Partia’, me këto veprime ne do t’ju tregojmë atyre, se jemi totalisht të politizuar, atëherë çfarë drejtësie do të japim”?!
– “Nuk i ‘imagjinoj’ dot këto veprime të jashtëligjshme, pse s’thoni që Drejtësia në Shqipëri ka marrë fund dhe kjo rrugë që po ndjekim, është një tragjedi kombëtare”? Që kur ndodhën këto tre raste, Manol Konomi dhe Bilbil Klosi, e shikonin baban tonë gjithë ironi, nënqeshnin me të dhe kjo donte të thoshte qartë se; “ke për ta parë edhe ti, se ç’ka për të të ndodhur, dhe atëherë do të na njohësh ne”.
Këto gabime të tij në vazhdimësi u konsideruan faje politike shumë të rënda dhe si rrjedhim ai nuk meritonte më të mbante poste të larta në sistemin e drejtësisë, për këtë duhet të mbante përgjegjësi dhe të dënohej, për t’u bërë shembull për të tjerët dhe të gjendeshin burimet nga ishte frymëzuar ai për këto qëndrime armiqësore. Kështu atë, fillimisht e flakën jashtë nga detyra, si i panevojshëm dhe i pandreqshëm për ta futur në rrugën e së ardhmes, që do të ishte ajo e asgjësimit të ngadaltë.
Siç e kam përmendur më lart, Enver Hoxha ishte shumë i njohuri i familjes tonë dhe shkaku i kësaj njohjeje me këtë “pleh”, ishte siç e kemi thënë, daiu ynë, apo kunati i babait, Esat Dishnica, i cili Enverin e konsideronte vëlla “binjak” e, si rrjedhim edhe nëna jonë e cila e idealizonte të vëllanë Esatin, natyrshëm për inerci edhe “mostrën” Enver, e konsideronte vëlla të dytë, kështu edhe babait tonë, nuk i mbetej gjë tjetër, veçse dhe ai ta respektonte “vëllanë e kunatit”.
Pas disa kohësh njohje të hershme me Enverin, marrëdhëniet tona familjare arritën në kufijtë konfidencial, hyrjet, daljet, drekat dhe darkat tek ne, ai i shpeshtoi. Lidhjet e Enverit me Esatin tani e prapa u forcuan edhe më tej, sepse ai u bë menaxheri më kryesor në biznesin e Esatit, në atë të Industrisë së duhan-cigareve dhe të tregtisë së sendeve ushqimore që ai tregtonte me shumicë dhe në këto aktivitete tregtare, fitimet ishin shumë të konsiderueshme.
Një koincidencë tjetër qe se Enveri ishte dhe kunati i Bahri Omarit, i cili veç shoqërisë së madhe që kishte me baban tonë, qëlloi edhe komshi tek katër apartamentet e bardha të italianëve, pas “Shallvareve”, kështu që hyrjet e daljet ndërmjet dy – familjeve u shpeshtuan, të dy motrat e Enverit, Fahrija – gruaja e Bahriut dhe Sanoja, mëngjes e pasdreke ishin bashkë me nënën tonë, duke pirë kafenë nëpër shtëpitë respektive.
Mesa duket nënës tonë për pakujdesi, apo për naivitet në këto ambiente tashmë familjare e miqësore, i kishte shpëtuar goja nëpër biseda, se Hiqmet Delvina, djali i xhaxhait të babait, ish – Kryetar Parlamenti dhe Ministër i Drejtësisë në kohën e Mbretit Zog i I-rë, kur u largua nga Shqipëria në 1939 me eskortën e Mbretit me gjithë familje, duke mos patur siguri për udhëtimin që do bënin për t’u “arratisur”, i lë babait tonë në “besë”, për ruajtje, një sasi të konsiderueshme monedhash ari, 20 – franga, ose siç i thonë “Napolona Ari”, për bela të kokës së tij dhe tonës.
Mesa duket kjo bisedë i shkon në vesh Enverit ekzakt, si ishte e vërteta. Për çudi pa kaluar shumë kohë, ai i thotë nënës tonë – “Dëgjo o Cime (kështu i thërrisnin nënës në familje), – i thuaj ti Neki Beut, që bën mirë të na dëgjojë, se jemi të mirë-informuar, që tradhtari Hiqmet Bej Delvina, i ka lënë një sasi të hollash në flori, të cilat do t’i shërbenin Lëvizjes Nacionalçlirimtare që po organizojmë, kështu po të na i japë ne këto para, ai do të mbetet për mirë në historinë e Kombit që po shkruhet”. Ky mesazh në formë të njëjtë, vazhdoi të na vinte prej tij edhe gjatë kohës kur ata dolën në mal, sepse këto vlera të atij “tradhtari” që ruante babai, do t’i shërbenin shumë luftës.
–“Po ky avaz, – thoshte nëna, – vazhdoi të më vinte edhe pas “çlirimit” prej tij, nëpërmjet motrës, Melit dhe vëllait, Esatit. Unë këtë çështje kur ia zura një herë Nekiut me shumë takt dhe pak si indirekt, biles duke mos e zënë në gojë Enverin, po njerëzit e Lëvizjes, që ‘nuk e di se nga e kanë marr vesh ata, që ne i kemi ato para’, ai reagoi menjëherë me shumë nervozitet kundër kësaj dëshire grabitëse të tyre”. Ai nuk mund ta konceptonte dot se me çfarë të drejte ata ndërhynin në çështje krejt private, të dëgjuara rreth e rrotull dhe për të ky ishte një “Banditizëm” i vërtetë.
Në vitin 1945, vjen i biri i Hiqmet Bej Delvinës, së bashku me nënën e tij, Inajetin, nga Firenze ku jetonin, për të marrë parat e lëna tek ne dhe të ktheheshin nga kishin ardhur. Ky udhëtim i tyre vajtje-ardhje në Itali për atë kohë ishte plotësisht i mundshëm, jo vetëm se këtu në Shqipëri ishin përfaqësuesit e aleatëve anglezë, amerikanë etj., por ne akoma nuk e kishim treguar fytyrën tonë të vërtetë terroriste, kriminale e tërësisht komuniste.
Akoma më të sigurtë e ndjenin veten, se ata tashmë kishin nënshtetësinë italiane dhe ishin pajisur me pasaporta të rregullta italiane, kështu që kurrë nuk e mendonin një ndalim të mundshëm për t’u rikthyer në Itali. Gjithashtu ja u largonte çdo dyshim që mund të mos e realizonin qëllimin e ardhjes, se ata pretendonin se paratë e tyre ishin plotësisht të pastra dhe nuk rridhnin nga ndonjë rrugë kriminale, ato para i takonin një familjeje të pasur e të vjetër dhe me pozita të larta shtetërore, për më tepër që ato i mbante në ruajtje një Anëtar i Gjykatës së Lartë, aktualisht në detyrë.
Kështu ata të mbështetur në logjikën dhe mendimet e mësipërme, erdhën të sigurtë më në fund në Shqipëri, direkt e në shtëpinë tonë. Doktor Dragushi kishte mbaruar për mjekësi në Bolonjë, ishte mjek i formuar por nuk e njihte fare situatën se çfarë kishte ndodhur në Shqipëri, natyrisht edhe e ëma Inajeti.
Ata menjëherë i paraqitën babait tonë dy letra, 1 – njëra autorizonte të dy ata (nënë e bir), të merrnin paratë e lëna te ne, dhe tjetra, 2 – ishte letra që babai ynë i kishte lëshuar Hiqmet Beut, kur i kish marrë paratë prej tij. Kjo letër u gris në prezencë të të tretëve dhe ata pasi numëruan paratë një më një, i lëshuan babait “letrën fatkeqe” të marrjes në dorëzim të shumës së parave, që i përgjigjej asaj letre që grisën. Kështu u mbyll kjo çështje, sipas të gjitha rregullave zyrtare.
Por pikërisht pas kësaj fillon tragjedia për dy familjet, nga pushteti komunist i asaj kohe, si për ata të dy fat-keqët, ashtu edhe për ne. Ngjarjet që vijuan nuk rrodhën sipas logjikës së drejtë njerëzore, por rrodhën sipas politikës komuniste të terrorit. Ata nuk u lejuan më të ktheheshin në Itali, krejt në mënyrë të jashtëligjshme me pretekstin se tashmë kishte ndryshuar situata politike. Memorie.al
Ukë Ramadan Cami lindi në vitin 1896, në Sepetovë, lagje e Tërbaçit, Komuna e Ostrenit, Dibër. Shtëpia e tij në afërsi të rrugëkalimeve për Strugë, Dibër, Gollobordë, Grykë të Vogël e të Madhe, ishte gjithnjë e hapur për krerë dhe atdhetarë të lëvizjes kombëtare. Babai i tij, Ramadani, ishte luftëtar i vendosur për konstitucionin dhe ndër luftëtarët e parë për formimin e klubit “Bashkimi” të Dibrës. Si veprimtar i klubit, i mbështetur edhe nga Eqerem Cami, zhvilloi një aktivitet të dendur propagandistik në qytet e në malësi. Camët janë një familje e madhe, pari e Dibrës që shtrihet në fshatrat e Gjoricës, Viçishtit, Golovishtit, Sepetovës dhe në Dibër të Madhe.
KRESHNIKËT VULLNETARË NË “TOKAT E LIRUARA”!
Në Qarkun e Dibrës u formuan gjithsej 4 njësi kreshnike nën udhëheqjen e Ukë Camit, Azis Kaloshit, Ali Maliqit, Ramadan Hoxhës. Fushëveprimi i njësisë vullnetare që udhëhiqej nga Uke Cami, ishte shumë i gjerë, që përfshinte Gollobordën, Zhupën, Drimkollin dhe Galiçnikun. Meqenëse kishte përvojë të madhe ushtarake, me vendim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Komandës Kombëtare, Prenk Previzi, ai u avancua nga kapiten i klasit të parë, në gradën e majorit kreshnik
Ashtu sikurse parashihej në program, Qeveria Mitrovica në konsultim me Këshillin e Naltë të Regjencës, formoi një komision ndërministror, me detyrë që të bëj riorganizimin e xhandarmërisë shqiptare dhe formimin, përkatësisht organizimin e forcave ushtarake vullnetare (kreshnike). Rrjedhimisht, Komisioni, në mbledhjen e mbajtur më 7 janar 1944, miratoi projektin për formimin e reparteve vullnetare në Tokat e Liruara. Projekti parashikonte formimin e së paku një reparti vullnetarësh në çdo komunë (eventualisht dy apo tre), varësisht nga madhësia e komunës.
Repartet do të numëronin 100 vullnetarë të ndarë në tetëshe dhe toge. Për çdo repart, përkatësisht njësi do të caktohej nga një komandant, i cili duhej detyrimisht të ishte i drejtë, besnik, atdhetar dhe udhëheqës i mirë. Përveç kësaj, ai duhej të posedonte autoritet tek masat dhe ta kishte fituar besimin e vullnetarëve (kreshnikëve), që do të jenë nën varësinë e tij. Çdo e dyta apo e treta njësi, do të komandohej nga një oficer i lartë dhe me përvojë të mjaftueshme ushtarake. Organizimi i njësive kreshnike parashikohej të kryhej në dy faza: faza e parë organizimi i njësive në afërsi të linjës së demarkacionit, në një distancë prej 25-30 km., dhe; faza e dytë, organizimi i njësive më larg linjës së demarkacionit.
Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, përmes një qarkoreje, urdhëronte prefekturat e Tokave të Liruara, përkatësisht atë të Dibrës, Prizrenit, Pejës, Prishtinës, Shkodrës dhe të Korçës, që të fillonin menjëherë me organizimin e njësive vullnetare. Në qarkore, veç tjerash thuhej: “…Në konsekuencë të këtij urdhni, luteni të urdhnohen Bashkitë dhe Komunat, të asaj Prefekture që, brenda datës 15 Fruer 1944, t’i paraqiten kësaj Komande listat emnore të meshkujve 33 deri 55 vjeç (1890-1910) të dallueme për çdo datë-lindje në lista të veçanta. Në listat emnore do të shënohet për çdo 100 vetë nji Kryetar Reparti, 50 veta nji nënkryetar, nji komandat skuadre nër 25 veta, tue zgjedhë ata persona qi kanë influencë e simpati në popullë, gjithashtu në listë do të shënohen armët dhe llojet e numrat e tyre e sasia e municionit si mbas modelit bashkangjitun …”!
Për rrjedhojë, në Qarkun e Dibrës u formuan gjithsej katër njësi kreshnike, nën udhëheqjen e Uke Camit, Azis Kaloshit, Ali Maliqit, Ramadan Hoxhës. Fushëveprimi i njësisë vullnetare që udhëhiqej nga Uke Cami, ishte shumë i gjerë, që përfshinte Gollobordën, Zhupën, Drimkollin dhe Galiçnikun. Meqenëse kishte përvojë të madhe ushtarake, me vendim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Komandës Kombëtare, gjeneral Prenk Pervizi, ai u avancua nga kapiten i klasit të parë, në gradën e majorit kreshnik. Ky avancim erdhi me propozim të Hysni Demës dhe Myftar Kaloshit, të cilët e çmonin lartë figurën e Ukes, ndikimi i të cilit, krahas Gollobordës dhe Zhupës, shtrihej edhe në Grykë të Madhe, Grykë të Vogël dhe në vetë qytetin e Dibrës. Përveç kësaj, ai mbante lidhje të ngushta miqësore me Ibrahim Biçakun, Azis Biçakun, Kadri Saliun, Shuaip Kamberi, Xhemë Gostivarin, Aqif Reçanin, Mefail Zajazin, Murat Labënishtin, Mentor Çokun e, me shumë figura tjera të shquara ushtarake e nacionaliste shqiptare të kohës.
Është për t’u theksuar fakti se, në qarkun e Dibrës, paralelisht me organizimin e formacioneve kreshnike, u shkua edhe në organizimin e xhandarmërisë, ku për komandant Qarku u zgjodh Myftar Kaloshi. Ky organizim u bë menjëherë pasi paria e Dibrës u kthye nga Tirana, ku pati takime të rëndësishme me Këshillin e Naltë të Regjencës dhe me kryeministrin Rexhep Mitrovica. Në takimin e zhvilluar me kryeministrin, paria e Dibrës, pasi e përshkroi gjendjen e përgjithshme të sigurisë në atë Qarkë, shprehi dëshirën që krahas njësive kreshnike të bëhet edhe organizimi, i së paku 2.000 xhandarëve shqiptarë, të pajisur me armë më moderne që i posedonte Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë Shqiptare.
Lidhur me këtë, Rexhep Mitrovica, përmes një shkrese, kërkonte nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhafer Deva, që të merret në shqyrtim kërkesa e parisë së Dibrës dhe në bashkëpunim me komandantin e përgjithshëm të xhandarmërisë; “të studiohet mundësia e plotësimit të kësaj kërkese”. Në letrën kthyese të Xhafer Devës, theksohet se regjistrimi i xhandarmërisë në krahinën e Dibrës, ishte paraparë me projektin e hartuar nga gjeneral Prenk Pervizi, dhe se kjo çështje “duhet të rregullohet në mënyrën si asht parashtrua për Shqipnin mbas nji planit”.
ZHVILLIMET USHTARAKE MAJ-GUSHT 1944
Organizimi i njësive kreshnike dhe i xhandarmërisë në Qarkun e Dibrës, mundësoi një stabilitet të përkohshëm, i cili nuk zgjati më shumë se deri nga mesi i muajit mars 1944, kur do të rifillojnë luftimet e ashpra midis forcave vullnetare e të xhandarmërisë shqiptare nga njëra anë dhe atyre komuniste jugosllavo-maqedonase, nga ana tjetër. Komandanti i përgjithshëm i xhandarmërisë shqiptare, kolonel Hysni Dema, në qershor të vitit 1944, i shkruante Prenk Pervizit, se: “Vullnetarët e Dibrës qysh prej tre muaj, janë tue luftue kundra çetave komuniste serbe, malazeze e bullgare, në rajonin e Dibrës, Debërcës e Zhupës, pa as më të voglin shpërblim. Kanë lënë familjet e tyne pa ndonjë ndihmë materiale dhe kanë mbetun zbathur, pse deri më sot nuk u asht dhanë as opinga…”!
Paraprakisht, me insistimin e të deleguarit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Svetozar Vukmanoviq – Tempo, qe formuar Komiteti Krahinor i Partisë Komuniste të Maqedonisë (PKM-së) për Pollog, Dibër, Rekë e Kërçovë, në të cilin u përfshinë edhe disa komunistë shqiptarë, si vëllezërit Agolli, Hamdi Dema, Lutfi Rusi etj. Në kuadër të atij komiteti vepronin disa aradha partizane maqedonase, të cilat bashkëvepronin me aradhën partizane të Haxhi Lleshit. Natyrisht, ky bashkëveprim, nuk e pati për synim luftën kundër gjermanëve, por asgjësimin e njësive kreshnike shqiptare, që etiketoheshin si “forca reaksionare”. Kjo provohet nga letrat e anëtarit të Shtabit Kryesor të LNÇM-së, Cvetko Uzunovski –Abas, dërguar më 18 maj 1944, Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë, ku thuhej shprehimisht:
“Thyemja e reaksionit në Shqipninë e Mesme dhe në terrenin e Dibrës, Kërçovës, Strugës, Tetovës dhe Gostivarit, do të thotë me e izolu okupatorin gjerman dhe me e sulmue kur të duesh dhe si të duesh. Kjo do të thotë edhe më tutje: të krijosh kondita për me zhvillue luftën në Shqipninë e Veriut dhe në Kosovë, dhe lidhjen e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipnisë me Ushtrinë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë…”!
Siç do të shohim në vazhdim, në ballë të forcave kreshnike shqiptare qëndronte majori kreshnik Uke Cami, i cili për më shumë se pesë muaj, do u bëj ballë forcave të shumta komuniste jugosllave, të cilat si strehë të tyre e kishin rajonin e Debërcës e të Drimiklollit. Prefekti i Dibrës, Abdi Golia, më 15 maj përcjelltë informatën e marrë nga majori kreshnik Uke Cami, i cili vinte në dukje se; “fuqia e tij asht ndeshun me komunistët në katundin Llokmë të N/Prefekturës së Strugës, ku ka mbetun nji i plagosun nga ana e Vullnetarëve tonë. Fuqija e Majorit Z. Uke, – vazhdon informata, – në pamundësi qëndrimi ndaj fuqisë superiore komuniste, asht tërhekun në katundin Selcë. Municjoni ju mungon dhe me shpejti kërkojnë fishekë…”.
Një ditë më pas, Prefektura e Peshkopisë, duke u mbështetur në njoftimin e Komandës së Rrethit, bënte me dije, se; “si mbas urdhrit të Komandës së Operacionit, Majori Kreshnik Z. Uke Cami, me nji fuqi Vullnetare ka shkue e zanë vend në kufinin e Debërcës, si dhe Shaqir Cami prej Trebishti në Malin e Steblevës”, dhe se “çetat (komuniste) mbas informatave që vijnë janë shpartallue e asnjë shenjë diktimi deri sot, nuk ndihet në kët Rreth…”. Luftime të ashpra u zhvilluan edhe në fshatin Galiçnik të Nënprefekturës së Rekës, ku sipas njoftimit të qarkokomandantit të Dibrës, Miftar Kaloshi, ishin vra tre xhandar shqiptarë dhe se fati i të tjerëve nuk dihej.
Nisur nga kjo, Miftar Kaloshi, kërkonte dërgimin e menjëhershëm të municionit, për të mund me ju përballue forcave komuniste jugosllave, pasi, sipas tij, ishte në rrezik edhe qendra e Radastushit. “Në rast se nuk ka me na dërguem municioni me shpejti, – thekson Kaloshi, – kjo Komandë nuk ka me pranue as nji përgjegjësi, mbasi trupat Vullnetare të Komanduem prej Z. Ali Maliqit, Uke Camit dhe Azis Kaloshit, kërkojnë me insistim e urgjencë municion”. Në këto rrethana, prefekti i Dibrës, Abdi Golia, më 16 maj 1944 i shoqëruar prej 150 vullnetarëve nga qyteti i Dibrës, udhëtoi për në Galiçnik dhe Gajre të Nënprefekturës së Rekës. Si rrjedhojë e këtij përforcimi, fuqitë vullnetare shqiptare, më 18 maj, ndërmorën një aksion të furishëm në fshatin Gajre kundër fuqive komuniste jugosllavo-maqedonase, me ç’rast këta të fundit pasi u thyen keqas, qenë detyruar të tërhiqen në drejtim të Karaormanit, rajoni i Debërcës, duke lërë 13 ushtarë të vrarë.
Nga fuqitë vullnetare shqiptare janë vra: Hajdar Spata, Ali Karaj nga fshati Blliçe dhe Met Veseli, Avdi Shini dhe Sadik Shehi, nga fshati Cetush. Ndërkohë, me kërkesën e Qark-komandantit të Dibrës, Miftar Kaloshi, më 4 qershor 1944, togeri i xhandarmërisë shqiptare, Mahmut Previzi, me një fuqi prej 50-60 vetash “gjindarmë e vullnetarë”, u shkoi në ndihmë “fuqive vullnetare të Majorit Uke Camit e tjerë”, duke u futur në veprim për ndjekjen e formacioneve komuniste jugosllavo-maqedonase, në krahun e Koxhaxhikut, rajon i Dibrës së Madhe. Për rrjedhojë, forcat vullnetare shqiptare të udhëhequr nga Uke Cami dhe Mahmut Previzi, arritën ta marrin Koxhaxhikun, duke e detyruar armikun të tërhiqet në drejtim të Debërcës. Lidhur me këtë, prefekti i Dibrës më 9 qershor, shkruante: “Ju parashtrohet se, mbramë fuqia civile e Uke Camit së bashku me detashmentin e Gjindarmeris këtushme dhe atë të Zerqanit, hynë në Koxhaxhik, mbas nji luftimi të shkurtun. – Komunistët që në numër kan qenë afër 50-60 veta, të përbamun krejtësisht prej popullsisë së Debërcës, janë largue në drejtim të brendis së Debërcës tue lirue dhe katundin Novak, pa ndonjë luftim…! Nga fuqia e Uke Camit, ka mbetun i vramë vetëm Sejfo Meta, prej Lladamerice”.
Për dallim nga Koxhaxhiku dhe Gajrja, fuqitë vullnetare shqiptare në fshatin Llokme, nën komandën e Uke Camit, Ali Maliqit, dhe Aziz Kaloshit, siç njoftonte Qark-Komanda e Xhandarmërisë së Dibrës, përkundër përpjekjeve nuk arritën t’u bëjnë ballë njësive të shumta komuniste jugosllavo-maqedonase, duke u detyruar të tërhiqen në drejtim të Dibrës së Madhe. Ndërkohë, luftimet në rajonin e Zhupës, Gollobordës e të Rekës, do të vazhdojnë edhe gjatë muajve korrik-gusht 1944, ku forcat vullnetare shqiptare të Uke Camit, të ndihmuara edhe nga ato të Ali Maliqit dhe Azis Kaloshit, do të zhvillojnë me dhjetëra beteja kundër forcave të shumta komuniste jugosllavo-maqedonase të cilave më vonë do u shkojnë në ndihmë njësitë komuniste shqiptare nën udhëheqjen e Haxhi Lleshit, Mehmet Shehut dhe të Esat Ndreut. Bashkëveprimi i njësive komuniste shqiptare-jugosllave, erdhi në fillim të muajit korrik, përkatësisht menjëherë pasi Enver Hoxha i shkruante SHK të LNÇM-së, se; zhvillimet ushtarake kundër forcave nacionaliste shqiptare në rajonin e Dibrës, Peshkopisë, Librazhdit, Strugës, Kërçovës, Gostivarit e Tetovës, duhet të ishin të kombinuara dhe të përbashkëta.
“Kemi bindjen, – shkruante Hoxha, – se ndërmarrjet e përbashkëta do të japin rezultate të mira, do t’i japin nji hov të ri luftës në atë sektor, do të mobilizojnë popullin e atyre krahinave rreth frontit nacional çlirimtar të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë dhe këto veprime të përbashkëta do të kenë reperkusione të thella në Kosovë, ku do të hapen perspektiva lufte të gjëra dhe pjesëmarrje më aktive në luftë të popujve të Kosovës, në frontin nacional çlirimtar tuajin dhe në ushtrinë Glorioze të popujve të Jugosllavisë, e udhëhequr me aq brio prej komandantit t’uaj të madh, Mareshalit Tito”.
ASGJËSIMI I FORCAVE ZOGISTE
Rrjedhimisht, komandanti i Korparmatës së I-rë të UNÇSH-së, Dali Ndreu, me 3 korrik 1944, urdhëronte ndërmerrjen e një aksioni në mbarë krahinën e Dibrës, për, siç do të shprehet, “asgjësimin e forcave zogiste”, përkatësisht, nacionaliste nën udhëheqjen e Hysni Demës, Ismail Demës, Uke Camit etj, duke i goditur të njëjtat nga të tri anët nëpërmjet njësive të Divizionit I-rë Sulmuese të Forcave Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë. Po në këtë frymë, shprehet edhe Enver Hoxha, i cili më 6 korrik urdhëroi Mehmet Shehun, që “krerët e Dibrës të goditen me ashpërsi”.
Menjëherë batalioni partizan i Dibrës, nën komandën e Esat Ndreut, me mbështetje edhe të Faik Shehut, po atë ditë sulmoi forcat nacionaliste e ato të xhandarmërisë shqiptare të Homeshit e të Peshkopisë dhe i morën këto qendra, ndërsa forcat e xhandarmërisë, mbas një qëndrese të vogël, u larguan duke lënë mjaftë të vrarë e të plagosur. Ndërmjet të vrarëve e të plagosurve, ishte edhe komandanti i xhandarmërisë së Dibrës së Madhe, Myftar Kaloshi.
Më 4 korrik 1944, Komanda e Xhandarmërisë së Dibrës, njoftonte se një çetë komuniste që përbëhej prej 500-600 vetash, nën udhëheqjen e Mehmet Shehut, Haxhi Lleshit dhe Kadri Hazis Hoxhës, pasi janë detyruar ta lënë Mokrën, futen në fshatin Qarisht dhe lagjen “Kosharisht” të Letmit në rajonin e Librazhdit, duke u ndeshur me forcat e majorit kreshnik, Hazis Biçakut. Më tej në informatë thuhet se forcat komuniste shqiptare, pasi janë thyer keqas, duke lërë shumë të vrarë, plagosur e të zënë rob, detyrohen të tërhiqen në drejtim të fshatit Steblevë, ku bëjnë “nji përpjekje me fuqinë e Postës Klenjës dhe me disa vullnetarë civilë të pakët, mbasi shumica e vullnetarëve, qysh ma para ndodhej në ndjekje në Koxhaxhik të rajonit Rrethit Qendrës Dibër, të bashkuem me Majorin kreshnik Z. Uke Camit, dhe kështu në këtë përpjekje prej ma se dy orë luftimi, kanë mbet të vramë dy Vullnetarë Civila prej Katundit Steblevë, si dhe nji Vullnetar i plagosun, mbasi Komunistët kan qenë ma shumë në numër…”.
Ndërkohë, Qark-Komanda e Xhandarmërisë së Elbasanit, më 13 korrik 1944, informonte Ministrinë e Punëve të Brendshme, se; “nji fuqi komunistë e për bame aproksimativisht prej 3000, vetash, në vendin e quejtun Gryka Ostrenit, jan tue luftue me fuqit Vullnetare të Uke Camit nga Golloborda. Fuqia Vullnetare Nacionaliste nga Lindja e Ostrenit. Luftimet bahen të rrebta”. Duhet theksuar se një pjesë e fuqisë vullnetare të Uke Camit vazhdonte të qëndronte në rajonin e Koxhahikut, duke zhvilluar luftime të përditshme me forcat komuniste jugosllavo-maqedonase. Në fillim të muajit korrik 1944, luftimet midis forcave vullnetare shqiptare dhe atyre komuniste jugosllavo-maqedonase, do të shtriheshin edhe në vetë qytetin e Dibrës.
Lidhur me këtë, komandanti i përgjithshëm i operacionit për Qarkun e Dibrës, kolonel Hysni Dema, më 4 korrik 1944, i raportonte Këshillit të Naltë të Regjencës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komandës së Mbrojtjes Kombëtare, se një ditë para, herët në mëngjes, “nji fuqi Komuniste e përbame prej Bullgarësh, Serbë, Maqedonas e Malazes, mësyen qytetin e Dibrës, duke zbrit prej malit qytetit Dibrës, të ardhun nga Meliçani, Kosovrasiti e Gajre”. Më tej në raport theksohej se numri i asaj fuqie armike, shkonte nga 600 deri më 700 vetë, të cilët “ishin t’armatosun me mitraloza të rënda, mortaja (të lehta e të rënda) e gati të gjithë me pushkë automatike”.
Mirëpo, pas një ndërhyrje të shpejtë të xhandarmërisë shqiptare, e të forcave vullnetare të Ali Maliqit e të Fuat Dines, njësitë komuniste jugosllave u detyruan të tërhiqen në drejtim të Rajçicës, Elevcit dhe Meliçanit, duke lërë mbi 100 të vrarë e, një numër të madh të plagosurve. Nga ana shqiptare pati 31 të vrarë dhe 16 të plagosur. Në mesin e të vrarëve, qe edhe kapiteni i klasit të I-rë, Kadri Shehu, si dhe dhjetë civil.
Është për t’u theksuar se gjatë muajit korrik 1944, qyteti i Peshkopisë herë merrej nga njëra palë e, herë nga pala tjetër. Kështu, më 13 korrik, ajo u mor nga njësitë partizane, ndërsa dy ditë më vonë, pas një kundërsulmi të shpejtë nga njësitë e Halil Alisë, Hysni Demës etj, komunistët shqiptar u detyruan të tërhiqen nga qyteti, për t’u vendosur në Fushë Alie. Përderisa në Dibër të Poshtme zhvilloheshin luftime të ashpra midis njësive nacionaliste shqiptare dhe të FNÇSh-së, në anën tjetër, ShK i LNÇJ-së për Maqedoni, urdhëroi njësitë e Brigadës I-rë maqedonase dhe Brigadës I-rë kosovare, që më datë 19 korrik 1944, sërish ta sulmojnë qytetin e Dibrës. Mirëpo, pas luftimeve të përgjakshme, të cilat zgjatën plot katër orë, njësitë vullnetare shqiptare, të ndihmuar edhe nga xhandarmëria, edhe kësaj radhe arritën ta përballojnë sulmin, dhe pas një kundërsulmi të shpejtë, e detyruan armikun të tërhiqet në drejtim të Karaormanit.
Dështimet e njëpasnjëshme të forcave të koalicionit komunist për marrjen e krahinës së Dibrës, i shtynë udhëheqjet aleate jugosllave-shqiptare, për hartimin e një strategjie të re. Për këtë qëllim, ata krijuan shtabin e përbashkët operativ në përbërje: Video Smilevski – “Bato” (një shqiptar ortodoks i maqedonizuar, nga Reka e Epërme), Petar Brajoviq, të cilët përfaqësonin ShK të LNÇJ-së për Maqedoni, ndërsa ShK të UNÇ-së e përfaqësonin, Dali Ndreu dhe Mehmet Shehu. Pasi u bënë të gjitha parapërgatitjen e nevojshme, më 1 gusht 1944, njësitë e koalicionit në kuadër të së cilës u përfshinë: Brigada I-rë, IV-ët dhe V-të shqiptare, Brigada I-rë maqedonase dhe Brigada I-rë kosovare, sulmuan sërish Dibrën e Madhe, mirëpo pa ndonjë sukses, për arsye se ata hasën në një rezistencë të fuqishme nga njësitë vullnetare nacionaliste e, të xhandarmërisë shqiptare.
Është me rëndësi të theksohet se përkundër qëndresës së madhe të forcave nacionaliste në mbrojtje të Dibrës nga ripushtimi jugosllav, parë në përgjithësi, morali i ushtarëve kreshnik kishte ra dukshëm që nga muaji qershor 1944. Kjo shihet në raportin e Qark-komandës së xhandarmërisë së Dibrës, për muajin qershor 1944, ku thuhet: “Në këto ditë të fundit gjendja politike në përgjithësi shihet si e errët. Aktiviteti politik i popullsisë Katundare Nacionaliste, vjen dita ditës të pakësohet, për arsye se: Çeta Komuniste ç’faqen e lëvizin ndër vende të ndryshme të Prefekturës dhe për mungesë fuqie Ushtarake e vullnetare, nuk ka qen e mundun luftimi i tyne siç dihet, natyrisht si konsekuencë ka shkaktue influencimin e propagandës Komuniste…”! Memorie.al
Melbourne 2010
Ua kushtoj të Parëve të mi,
Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,
dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,
që menduen, punuen e u salvuen
për Shqipninë Europjane të
Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Autori
Melbourne, Gusht 2010.
Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.
III.BURRI I FJALËS DHE I VEPRAVE CAFO BEG ULQINI
CAFO BEG ULQINI
Kur veriu i ftohët i Stom Golemit përshkohej nëpër rrugën Rus, apo murrlani i Rrencit vinte e shkapetej tek Dugajtë e Reja të Shkodrës për gjoksin e Burrit të njohun Cafo Begut, gjithënjë kam pasë përshtypjen se të dy kthehëshin mbrapsht…
E njoha të moshuem, aty nga vitet 1961 – 62, kur çeli dyqanin e cigareshitësit. Ishte plotësisht i thijun, me krejt flokët të bardhë, që i jepnin një hijeshi Burri, por trupi i madh sportiv, gjithmonë i mbajtun dhe i kërpitun, i veshun me palldysy ngjyrë qumështi, apo kostume kafe e krem, të tërhiqte në çast vëmendjen. Ishte mjaft i pashëm, me sy shqipojë, gjithmonë vrojtues, nofulla të gjana, që ngërthehëshin kur nxirnin çdo tingull të ambël të fjalës së Tij joshëse. Për pak kohë shihej se edhe klientët që hynin në dyqanin e Tij ishin të zgjedhun…
Cafo Begu kishte një histori interesante të jetës së Tij. Ai jetonte tek disa miqë të tij, dikund kah stadiumi. Nuk kishte familje as të afërm, mbasi ishte detyrue me i lanë në anën e Jugosllavisë, që në ditët e para mbas luftës së Dytë Botnore, kur andej e këndej në pushtet erdhën komunistët. Në Shqipni kërkohej se kishte kenë Anëtar i katërshes së Regjencës në periudhën e pushtimit gjerman, me Maliq Beg Bushatin, At Anton Harapin dhe Lef Nosin. Ndërsa nga jugosllavët paguhej me napolona ar kryet e Tij, mbasi kishte deklarue botnisht se: “Trojet e mija janë Tokë Shqiptare!”.
Kjo deklaratë nuk ishte thjeshtë e një pronari apo çifligari tokash, po ishte: “Një shtytje ma andej e atyne piramidave të vume paderjtsisht në vitit 1913, në Tokën Shqiptare!”
Me largimin e trupave gjermane kishte shkue në trojet e veta dhe aty ishte strehue, madje, edhe ruejtë kryet ndër miqë e besnikë të vet. Kishte provue jetën e shpellave, gropave, të skamit dhe të vuejtjes për disa vite, deri me rastin e amnistisë së bame për faljen e jetës së atyne që dorëzohën në Shqipni, dhe që nuk do të dënoheshin me vdekje nga gjykatat komuniste. Kishte kalue hetuesitë speciale dhe ishte dënue me shumë vite burg, i përfshimë në nenët e “krimeve të luftës”. Mbasi u lirue, erdhi në Shkodër.
Në vitin 1968 u njoha ma afër me Té. Ai më tregoi se kishte njohë edhe babën tim dhe se kishte pasë edhe ky hobi për hipizëm. Kishte disa foto ndër plantacionët e veta me kuaj. Ruente si relike fotografi të grues së vet dhe të vajzave, të para vitit 1945.
Në dhjetorin e vitit 1968, hapi bisedën për At Anton Harapin: “Asht kenë një dhe nuk bahen dy si Ai!”. Në vitin 1944, kur At Antoni, aty nga fundi i nandorit, po këthehej nga Gjermania mbas një takimi me Hitlerin, ishte ndalue në Podgoricë, dhe në një hotel ai asht takue me komandantin e trupave gjermane që po largoheshin nga Shkodra, Komandanti gjerman e kishte njoftue At Antonin për largimin nga Shqipnia dhe e kishte ftue me ikë edhe ky me ata, tue i sigurue që do ta çonin ku do të dëshronte vetë At Antoni, për mos me ra në duert e komunistëve, të cilët, me 28 Nandor do të hynin në Shkodër.
At Antoni nuk ka pranue me u largue nga Shqipnia dhe, po t’ishte nevoja, do të pranonte edhe vdekjen, për të cilën ai vetë nuk dinte shkak. Por kishte kërkue nga gjenerali gjerman, largimin e trupave të fundit të ushtrisë gjermane me datën 29 Nandor 1944, dhe jo me 28, si kishin planifikue ata, mbasi i kishte shpjegue që, “nuk asht mirë me na njollosë Ditën e Flamurit dhe të Pavarsisë me ditën e pushtimit komunist të Atdheut!”. Komanda gjermane e ka pranue kërkesën e At Antonit dhe ushtarët e fundit gjermanë janë largue nga Shkodra në mengjesin e datës 29 Nandor. Për këtë veprim At Antoni kishte vue në dijeni atë natë edhe Cafo Begun. Të nesërmen ishte nisë për Shkodër, ndonse edhe Cafo Begu e kishte ftue me qendrue aty ku do të strehohej ky vetë, por as Cafo Begut Ai nuk i kishte pranue me qendrue andej mbasi “nesër kanë me thanë, paska shkue At Antoni me ruejtë kryet tek serbët…”.
Cafo Begu e përfundonte bisedën me një konkluzion:
“Shërbimi i At Antonit për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi mundej me i ba Atdheut të vet. Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zanë vendin që meriton!”.
Në vitin 1995, këtë fakt historik unë e kam bisedue me At Kondrad Gjolaj, kur ky po më tregonte sesi asht tradhëtue At Antoni nga një kushri i tij shirokas (L.B.), kur ai (L.B.) asht mbajtë në Sigurimin e Shkodrës dhe asht shtërngue nga frika dhe torturat me tregue se ku ishte strehue At Antoni, pse dyshohej që ky mund ta kishte nxjerrë nëpër liqe dhe ta kishte çue aty ku mund t’ishte edhe Cafo Begu, ndër trojet e veta. Atëherë forcat e Ndjekjes kanë shkue në Dukagjin dhe e kanë arrestue At Antonin. Mënyrat tjera At Kondradi nuk i pranonte, madje i quante trillime të Sigurimit.
Edhe At Kondradi e dinte ndryshimin e datës së largimit të trupave gjermane, me 29 Nandor 1944, mbasi ato ditë ky ishte kenë në Kuvendin Françeskan, ku kishte pak ushtarë gjermanë dhe mjaft nga njerëzit e politikës që po kalonin ditët e fundit aty n’atë vend derisa ikën.
Dhe ja si e shpjegon në librin “Çinarët”, faqe 70: “Gjermanët, për mos me njollosë festën e Flamurit me ditën e ardhjes së “çlirimtarëve” në Shkoder, lëshuene këtë qytet të fundit me datën 29 Nandor 1944. Partizanët “çlirimtarë” zbritën prej “malëve” të Bardhejve, Shtojt, Postrribës e përbrij Shkodres dhe hynë në qytet në orët e para të mengjesit. …Në drekë morëm vesht se një treçikël me tre gjermanë, rreth orës 11 paradite, kishte kalue nëpër Fushën e Qelës dhe kishte marrë drejtimin e rrugës së Koplikut. Kështu ikën edhe gjermanët e fundit
Në fjalorin enciklopedik të Akademisë së Shkencave të Tiranës, botue në vitin 1980, faqe 197, 262, 1019, 1049 etj. shkruhët: “Dita e çlirimit = 29 Nëntori….”Po ku ishin këta “shokët” akademikë, dr. profesorë e mashtrues të historisë që për gati 50 vjet, njohtën 29 nandorin 1944, ndërsa mbas vitit 1991, “heshtën” sëpse Kuvendi Popullor, tue ndryshue datën e tue e kthye me 28, Kuvendi Popullor po realizonte andrrën e komunistëve…
Sigurisht, tue pasë parashikue se shpejt Populli Shqiptar do të fshinte nga memoria e vet historike këte ditë robnije, i dolën punës para dhe u kthyen tek andrra e vjetër: “me përjetësue ditën e çlirimit” tue njollosë Festën e Flamurit, 28 Nandorin e 1912!…
Ky asht edhe një tjetër turp i pashembullt në fallsifikimin e Historisë së Lavdishme të Popullit Shqiptar.
Fallsifikatorët e historisë së Shqipnisë mbesin bijtë e pandreqshëm të baballarëve të vet! A nuk ju dalin boll miljonat e dollarëve që po mbushni xhepat, po doni me mbushë edhe faqet e historisë me gënjeshtra, shpifje e mashtrime? Deri kur kështu?
Më thonte i ndjeri Cafo Beg: “Kaq shumë kanë rrejtë komunistat, sa vërej tashti në 1974, se tue lexue dokumentat historike të botueme në këta 30 vjet, e tham sinqerisht, nuk gjej asnjë fakt historik të shkruem pa fallsifikime dhe shtremnime, madje, as edhe vetë aktin e Pavarësisë në Vlonë me 28 Nandor 1912, até që kanë botue “këta’…!”.
PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE ASHT TRADHËTARE
E ATDHEUT DHE E POPULLIT SHQIPTAR
Rraja e komunizmit duhet kerkue në idetë e klasikëve të tij.
Një porosi tjetër e Marksit, drejtue Kongresit të Berlinit në 1878: “Arnautët (Shqiptarët)…përsa i njohim, janë pak të përgatitun për t’ u qytetnue. Primja e tyne grabitqare duhet t’a detyrojë çdo qeveri fqinje t’i mbajë ata nën trysni të rreptë ushtarake, përderisa përparimi industrial në vendet fqinjë të mos u sigurojë punë atyne, si p.sh. dru-prerës dhe ujë-bartës.” Nuk mund të mohohet fakti se gadishullin e quejti “Turqi Europjane”. “…Rivalë të sllavëve janë vetem barbarët arnautë dhe turqit, të cilët prej kohësh quheshin dendur si kundërshtarët ma të egjër të qytetnimit e të përparimit…” (M.Mali, publicistikë, 2010. USA)
Ky mentalitet me të vertet racist i krijuesit të materializmit dialektik zuni vend në trunin e “shokut” Tito, i cili, tue u bazue në teori të Marksit, që Arnautët me kenë se janë me “primje grabitqare” duhen mbajtë nën trysni të rreptë “nga vendet fqinjë”, i vuni detyrë vetës ate që ishte prej kohësh me interes për shovenistët jugosllavë, me mbajtë Popullin Shqiptar “nën trysninë” e tyne. Se ku e kishte gjetë “shoku” Marks të shkrueme se Shqiptarët janë kundershtarë të qytetnimit dhe të përparimit nuk e di… Di vetëm një fakt, se mbi bazen e këtij citati Tito dërgoi emisarët e tij, që me 8 nandor 1941 themeluen Partinë Komuniste Shqiptare, me të gjitha tiparet bolshevike staliniste, tue ruejtë në themel porositë e Marksit. Për me kenë të saktë me parimin e Marksit, se gadishulli i Ballkanit asht edhe “Turqia Europjane”, ata zgjodhën edhe drejtuesin e kësaj partie një injorant anadollak, që do t’ ju shërbente atyne besnikrisht, Enver Hoxhën, që ishte edhe karrierist i pacipë, por edhe terrorist i njohun që në kabaretë e masonistëve francezë. Në formimin e tij ai plotsonte të gjitha kushtet e një drejtuesi të partisë komuniste, tue fillue tek prejardhja e tij, mungesa e kulturës, megallomania, pabesia, karrierizmi, lufta e pamëshirshme për kolltuk, tradhëtia e shokut, plaçkitja e pronës, paburrnia dhe tradhëtia e Atdheut, që për një komunist mbetet parim bazë qysh në organizimin e tij në atë parti. Ajo që një komunist e ban të “pranueshëm” në parti asht përkushtimi i tij në shërbim të sigurimit të shtetit bolshevik, ku jep provat e spijunllekut dhe të kriminalitetit të vet. Të gjitha këta kushte Enver Hoxha i plotësonte dhe mbas një kohe shumë të shkurtë shkon edhe mysafir tek Tito në Beograd e te Stalini në Kremlin. Me siguri, ndër këto vizita, si Tito, si Stalini, duhet të kenë konstatue ndonjë “cilësi” personale të Enver Hoxhës, e mbetun nga e kaluemja e tij “rinore”, mbasi në protokollin e pritjes së Nikita S. Hrushovit, më 1959 në Tiranë, Hrushovi, porsa zbriti nga avioni dhe u afrue tek podi i mikrofonit me përshëndetë popullin që kishte shkue në Rinas me i urue “mirëseardhjen”, i tha: “Nuk po e heqë kapelen, se këtu asht dielli i fortë, mandej tek ju flitet edhe me kapelë në kokë, se ju jeni popull musliman…”. Unë po shkruej ate që kam ndigjue me veshtë e mi se ba me shkrue se çfarë ka shkrue ai në kujtimet e tij…për udhëheqësit e partisë sonë, jam i sigurtë se edhe Marksit nuk i ka shkue mendja se në trupin e kujt do të zanë vend “tesera” e partisë komuniste “marksiste”…
Të gjitha veprimet e Enver Hoxhës përputhen me politikën e të gjitha vendeve komuniste që luftonin në Europë, por e veçanta e partisë komuniste shqiptare ishte se, mbas “fitores” mbi nazizmin, na ishim vendi i vetëm që nuk u quejtëm Shtet i pavarun “demokratik” etj., epitete të cilat ua vune “demokracive” popullore të vendeve të Lindjes komuniste, ndërsa nga pushtimi fashist e nazist Shqipnia kaloi nën pushtimin e ri komunist bolshevik të Jugosllavisë së Titos, tue ndrrue zgjedhën e robnisë me këte që i kishte mbetë pa provue ndër njëzet shekuj… Historikisht vet Tito e kishte gjetë formulën e pushtimit, mbasi askush nuk mund ta akuzonte se ai ka aneksue një tjetër “republikë të shtatë”, mbasi dihej prej të gjithëve ajo që nuk dihej vetem prej nesh: “Ishte Jalta e shkurtit 1945, ku Ruzvelti i dhuroi Titos, për hir të Stalinit, gjysën e Ballkanit…” Shqipnia e quejti vetën Republikë “demokratike” që ishte e kontrollueme nga Jugosllavia dhe si figurë “drejtuese” e qeverisë ishte Enver Hoxha, që i sherbente ma mire se me ardhë vetë Tito në Tiranë…
Shqipnia ishte ndër të paktat shtete që nuk u çlirue as nga forcat e Aleatëve dhe as nga Ushtria e Kuqe e Stalinit. Asnjë ushtar jugosllav apo grek nuk asht vra për çlirimin e një fshati në Shqipni. Vetë Ruzvelti ka deklarue se çlirimi i Ballkanit “nuk asht detyrë e jona”…Kur Ushtria e Kuqe çliroi edhe Jugosllavinë, forcat gjermane ishin largue nga vendi ynë atëherë, pse Shqipnia, i vetmi vend në Europë që po i themi se u “çlirue” nga vetë shqiptarët, mbas tërheqjes së forcave gjermane, nuk u la si shtet i pavarun, por iu aneksue Jugosllavisë komuniste bolshevike? Edhe një sqarim i nevojshëm duhet theksue, se gjatë pushtimit italian dhe gjerman, asnjë ushtar shqiptar nuk asht kenë pushtues i huej.
Përkundrazi, ushtarët dhe “komandantët” partizanë shqiptarë që janë kenë në Kosovë, apo që kanë kalue në Veri nga Hoti në drejtim të Podgoricës dhe Tivarit, me brigadën e formueme në Shkodër me datën 29 nandor 1944, me qellim me çlirue Tokat Shqiptare e, që në të gjithë tekstet e “historisë” shkruhet: “Kalimi i divizioneve tona në Veri për çlirimin e ‘tokave’ të Jugosllavisë”, tregon qartë marëveshjen e fshehtë të asaj kohë mes Titos dhe Enver Hoxhës, që Tokat Shqiptare për të cilat bahet fjalë ndër tekste, ishin cilësue “toka të Jugosllavisë” pa u “çlirue” ende, kur të gjitha ishin shqiptare dhe të banueme edhe sot nga shqiptarët, dëshmi që e kam edhe nga daja im, Mikel Pjeter Prennushi, ish oficer akademist në Itali, që asht mobilizue nga forcat partizane me shumë oficerë të tjerë të kohës së pushtimit. Ndërsa për veprimtarinë tradhëtare të Ramiz Alisë, Haxhi Lleshit, Fadil Hoxhës, Shefqet Peçit, Rahman Perllakut etj., me forcat çlirimtare të Kosovës, tue i lanë pre në pabesi të forcave jugosllave, tashma dihen nga të gjithë, edhe pse në Kosovë ende kjo tradhëti që u asht ba kosovarve, nuk kërkohet me u shpallë botnisht, kur dihet se mija e mija prej djemëve të tyne u morën në Kukës e nuk mërrijti as gjysa e tyne në Tivar, ku edhe ajo pjesë e vogël kosovarësh që pat teprue rrugës, iu dorzuen “druzhe” Titos me u masakrue dhe me ushqye peshqit e Adriatikut në brigje të Tivarit.
Anglezi A. Glen, shkruen: “… Ato që i përcaktuan ngjarjet kanë qenë armët, të cilat iu dhanë Enver Hoxhës, e partizanëve… Na bëmë shumë pak me u shpërblye besnikrinë miqve tanë (nacionalistëve e Abaz Kupit). Në vend të kësaj, pa qenë nevoja na lejuam që ata të mundëshin dhe disa të tradhëtoheshin.” (“Albania’s National Liberation Struggle” fq. 363).
Besoj se asht thanë e shkrue padoreza e vërteta e atyne viteve të zeza, me të cilat mburreshin “komandantët e brigadave tona partizane”, kur donin me tregue “burrërinë e tyre komuniste”. Asht fatkeqësi e madhe për Popullin Shqiptar, i cili i ka besue dhe vazhdon me i besue tradhëtisë që aleatët i kanë ba jo, vetem gjatë luftës por, edhe mbas luftës. Këte fakt historik sot na e kemi të gjallë me qendrimin që ata mbajnë ndaj komunistëve dhe bijve të tyne, tue ua sigurue edhe “pushtetin” për t’ ardhmen..
Për mue ma i sinqerti asht Lokharti, i cili po aty shkruen: “Shqipëria është në fund të listës për prioritetët tona në Evropë”( fq 68). Aty asht e shkrueme edhe një porosi e dhanun prej tyne në vitin 1943:“Shërbimi më i madh që mund t’i bëni armikut në vendin tuaj, është që të nisni … një luftë civile “. Edhe këte e kemi ba! ..Kjo tradhëti e Enver Hoxhës dhe e Ramiz Alisë, bashkë me të tjerë pasues “heroj të popullit”, ndaj forcave tona nacionaliste çlirimtare dhe lanja nën robninë komuniste e Trojeve tona në Kosovë, Hot, Grudë, Ulqin dhe Tivar, bashkë me të gjithë Popullin Shqiptar, këndej e andej kufinit, në dorën e neoshovinistëve komunistë jugosllavë të Titos, as kjo nuk asht tradhëti ndaj Atdheut dhe Popullit Shqiptar..?
Veprimet e komunistëve shqiptarë gjithnjë janë pasue me lufta, tradhëti, vrasje, plaçkitje, burgosje, internime ose e thanun ma shqip “me vllavrasje”…e, kjo, sot dëshmohet në të gjitha trojet shqiptare, ku ende sot nuk vendoset as drejtësia, as paqa…
As kjo nuk asht tradhëti e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, thonë ata..?
Shenim F.RADOVANI: Vazhdon Pjesa IV
Melbourne, 1 Mars 2026.

CAFO BEG ULQINI (1893 – 1977)
E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës Znj. Vjosa Osmani-Sadriu Nga Elida Buçpapaj
MISIONARËT E DIJES DHE TË ARDHMËRISË- Nga ARIF EJUPI
Intervista- Hasani: Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues
Kush “e vrau ” Elisa Spiropalin?!- Nga IRENA BEQIRAJ
“Nako Spiru foli fjalë fyese për Enverin…”- Raport-survejimi i “Vigjilencës”, Berat ’57: Tuk Jakova tha se në plenumin e Beratit nuk ka pasur prapaskena
‘Sokol Balla, gojët e liga thonë je arratis pas thirrjes në SPAK’/ Avokati: Hajde Koli, mos na zhgënje tani!
Shkëlqimi dhe rënia e Vjosa Osmanit Nga Elida Buçpapaj
Imperativ i kohës Thirrja për Bashkim – Nga Isuf B.Bajrami
DEMONSTRATAT E 11 MARSIT 1981 DHE DINAMIZIMI I KËRKESËS PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS – Nga Jusuf BUXHOVI
Abdikimi i antarëve edhe rrënimi i Partisë Socialiste! – Nga Irena Beqiraj
Edward Joseph: Zgjedhjet e reja në Kosovë nuk janë në interes të askujt
Irani fillon vendosjen e minave në Ngushticën e Hormuzit, Trumpi: Të hiqen menjëherë
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022

Komentet