VOAL

VOAL

Basha, një lolo që s’duhet marrë me dramë, por me të qeshur – Nga ANDI BUSHATI

January 8, 2022

Komentet

Çfarë e lidh të djathtën ekstreme nga Serbia dhe BE-në?

Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, si kryetare e Zavetnicit, u takua në Bundestag me presidentin e AfD-së, Tino Chrupalla, në nëntorin e vitit 2023.

 

Dushan Komarçeviq

Kundër emigrantëve dhe vlerave liberale, për bashkëpunim më të ngushtë me Rusinë. Kjo është mënyra më e shkurtër për t’i përshkruar partitë e ekstremit të djathtë që hynë në Parlamentin Evropian, pas zgjedhjeve që u mbajtën në fillim të qershorit.

Me shumë prej tyre, partitë ultra të djathta në Serbi, por edhe Partia Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet kanë kontakte prej vitesh.

“Unë pres regres të mëtejshëm të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore brenda Serbisë, e cila është inkurajuar nga rritja e së djathtës ekstreme në Evropë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Izabella Kisiq, drejtore ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

Edhe pse Partia Popullore Evropiane (EPP) – një grupim konservator i partive të qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian – fitoi sërish numrin më të madh të vendeve dhe pritet të formojë shumicën, e djathta ekstreme shënoi rezultat të lakmueshëm në vendet më të mëdha të BE-së.

Në Francë, Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë fitoi 30 vende në Parlamentin Evropian – dy herë më shumë se koalicioni i udhëhequr nga Rilindja e presidentit Emmanuel Macron – gjë që çoi edhe në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD) zuri vendin e dytë sa i përket numrit të mandateve të fituara. Autoritetet gjermane e klasifikojnë këtë parti si “organizatë ekstremiste” dhe në disa lande federale është nën vëzhgimin e Shërbimit për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues.

“Miqtë nga Gjermania”

Për partinë joparlamentare nga Serbia, Zavetnici – kryetarja e së cilës, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, është ministre për Përkujdesje ndaj Familjes në Qeverinë e Serbisë – AfD-ja përfaqëson “opsionin kryesor sovranist të shtetndërtimit në Gjermani”.

Gjurgjeviq Stamenkovski, si kryetare e partisë Zavetnici, u takua në nëntor të vitit 2023 në Bundestag me kryetarin e AfD-së, Tino Chrupalla.

Në atë takim, siç u njoftua, ata u shprehën kritikë ndaj politikës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shkëmbyen mendime për “krizën e thellë të Bashkimit Evropian”.

Zavetnici u forma në vitin 2012, pasi disa anëtarë u larguan nga Partia Radikale Serbe, president i së cilës atëkohë ishte Vojisllav Sheshel, i dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës.

Zavetnici nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kërkon anulimin e Marrëveshjes së Brukselit, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2013, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Në fushatën për zgjedhjet parlamentare në Serbi, të mbajtura në fund të vitit 2023, partia deklaroi vazhdimisht se e dënon “ideologjinë dhe propagandën e komunitetit LGBT”.

Billboard në Beograd me lideren e Zavetnicit, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski (në mes), Boshko Obradoviqin nga Dveri (djathtas) dhe kandidatin për kryetar të Beogradit, Ratko Ristiq (majtas), gjatë fushatës për zgjedhjet në Serbi më 17 dhjetor, 2023.

Billboard në Beograd me lideren e Zavetnicit, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski (në mes), Boshko Obradoviqin nga Dveri (djathtas) dhe kandidatin për kryetar të Beogradit, Ratko Ristiq (majtas), gjatë fushatës për zgjedhjet në Serbi më 17 dhjetor, 2023.

Kontakte me AfD-në, prej vitesh, mban edhe lëvizja ultra e djathtë serbe, Dveri. Sikurse Zavetnici, as kjo parti nuk e kaloi pragun zgjedhor në zgjedhjet e dhjetorit.

Kryetari i saj i deritashëm, Boshko Obradoviq, i cili u largua nga partia pas rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit, filloi kontaktet me AfD-në qysh në vitin 2017.

Kur ultra të djathtët gjermanë hynë në Bundestag në shtator të atij viti – për herë të parë që nga viti 1945 – Obradoviq i uroi ata.

“Urime miqve të mi nga Alternativa për Gjermaninë. Shihemi në Bundestag dhe Beograd. Le të vazhdojmë. Është koha për Alternativën për Serbinë”, shkroi Obradoviq në Twitterin e atëhershëm.

AfD-ja u përgjigj duke e mbështetur Obradoviqin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017 në Serbi, edhe pse kjo nuk e ndihmoi shumë, pasi ai fitoi vetëm pak më shumë se dy për qind të votave.

Në vitet në vazhdim, delegacioni i Dverit ishte disa herë në Gjermani. Në dhjetor të vitit 2019, Obradoviq, së bashku me kolegen e tij partiake, Dragana Trifkoviq, vizituan Bundestagun.

Boshko Obradoviq me flamurin e Serbisë në Beograd në maj të vitit 2020, kur ishte në grevë urie kundër qeverisë.

Boshko Obradoviq me flamurin e Serbisë në Beograd në maj të vitit 2020, kur ishte në grevë urie kundër qeverisë.

Në kumtesën e publikuar nga partia serbe pas vizitës u tha se dy partitë i lidhin tema të shumta, e para së gjithash trashëgimia e krishterë e Evropës, vlerat familjare dhe zgjidhja e krizës së migrantëve.

“Të gjitha këto janë tema për të cilat ne do t’i vazhdojmë diskutimet jo vetëm me Alternativën për Gjermaninë, por edhe me kolegë të tjerë evropianë nga opsionet politike konservatore, me të cilët ndajmë shumë mendime të ngjashme, pavarësisht se nuk jemi dakord për të gjitha temat”, tha atëkohë Obradoviq.

Derisa ishte në krye të Dverit, Obradoviq vazhdimisht mbështeste tezën se Qeveria në Serbi dëshiron ta popullojë vendin me migrantë dhe refugjatë nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe se në këtë mënyrë “dëshiron ta zgjidhë problemin me natalitetin e ulët”.

Në vitin 2019, partia e tij nisi një peticion kundër, siç u tha, politikave për migrantë të autoriteteve republikane dhe lokale.

Përveç politikës së saj kundër migrantëve, lëvizja Dveri njihet edhe për politikën e saj anti-LGBT.

Që nga viti 2009, shumë kohë përpara se të hynte në politikë, Dveri organizoi disa herë të ashtuquajturën “Shëtitje familjare”.

Tubimi organizohej fillimisht në Beograd, e më pas edhe në disa qytete të tjera të Serbisë, në prag të Paradës së Krenarisë, të cilën e organizojnë organizatat e LGBT-së, me qëllim shpërfaqjen e problemeve me të cilat ballafaqohet ky komunitet.

Në vitin 2016, Dveri e kaloi pragun zgjedhor për herë të parë dhe hyri në Parlamentin republikan, por sot lëvizja nuk ka përfaqësues në Parlament. Politikisht është kundër integrimit evropian dhe kërkon mbështetjen te Rusia si “partnere kryesore të politikës së jashtme”.

Për këtë temë, Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga Dveri dhe Zavetnici, por, deri në publikimin e këtij artikulli, asnjëra parti nuk u përgjigj.

Krahas partive joparlamentare, kontakte me ultra të djathtën gjermane ka edhe Partia Përparimtare Serbe në pushtet.

Në vitin 2019, Marko Gjuriq, zyrtar i lartë i kësaj partie, atëkohë drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, u takua me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Alternativës për Gjermaninë në Beograd.

Siç u bë e ditur në ueb-faqen e SNS-së, Gjuriq “e informoi” përfaqësuesin federal gjerman, Armin-Paul Hampel, për situatën në Kosovë.

Marko Gjuriq

Marko Gjuriq

Inkurajim për të djathtën serbe

Izabella Kisiq beson se suksesi i ekstremit të djathtë në Evropë do të jetë një inkurajim për partitë e spektrit të djathtë dhe të ekstremit të djathtë në Serbi, të cilat përgjithësisht janë proruse.

“Aty ku Serbia bashkëpunon më së miri me Rusinë – e tani do të ketë partnerë të forcuar edhe në Evropë – është qëndrimi i saj ndaj të drejtave të njeriut, vlerave liberale dhe atyre që janë themele të BE-së”, thotë Kisiq.

Në të njëjtat zgjedhje presidenciale në të cilat AfD-ja mbështeti Boshko Obradoviqin, Markus Frohnmaier, deputet i AfD-së në Bundestag, foli në një tubim parazgjedhor të Lëvizjes për Lirinë Popullore – një parti e vogël joparlamentare nga spektri i djathtë, e themeluar nga ish-anëtari i Dverit, Mirosllav Paroviq.

Në tetor të vitit 2014, Paroviq organizoi konferencën “Evropa e Re” në Beograd, ku, në mesin e të tjerëve, u mblodhën përfaqësues të Alternativës për Gjermaninë, Partisë së Lirisë së Austrisë, Tubimit Kombëtar në Francë, ndërsa i pranishëm ishte edhe ish-ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Konuzin.

Në një deklaratë me shkrim dhënë REL-it, Paroviq tha se ky bashkëpunim “është bazuar dhe bazohet më shumë në marrëdhënie personale, sesa në ndonjë lidhje formale partiake”.

Paroviq e përshkruan si “arritje” suksesin e partive të ekstremit të djathtë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, por pretendon se idetë politike të tyre “kanë evoluar në këta dhjetë vjet” dhe se “nuk mund të flasim më për ndonjë organizatë ekstremiste”.

Duke folur për lidhjet e tij me AfD-në, Paroviq thekson se mban kontakte me pjesën “më liberale” të asaj partie.

Natalija Poklonskaya, deputete e Dumës Shtetërore Ruse, me Boshko Obradoviqin, themeluesin dhe udhëheqësin e Dverit, tregon flamurin e Krimesë të aneksuar nga Rusia, në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Serbisë, më 2019.

Natalija Poklonskaya, deputete e Dumës Shtetërore Ruse, me Boshko Obradoviqin, themeluesin dhe udhëheqësin e Dverit, tregon flamurin e Krimesë të aneksuar nga Rusia, në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Serbisë, më 2019.

Zavetnici, Dveri dhe lëvizja e Paroviqit mbrojnë bashkëpunimin më të ngushtë ndërmjet Serbisë dhe Federatës Ruse.

Përfaqësues të Zavetnicit dhe Dverit vizituan Rusinë në disa raste.

Në mars të vitit 2024, dy deputetë të Dverit u takuan edhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në kongresin themelues të Lëvizjes Ndërkombëtare Rusofile në Moskë.

Në shkurt të vitit 2022 në Moskë, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski u paraqiti deputetëve të Dumës ruse dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Jashtme propozimin që Rusia t’iu bashkohej negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Këtë vit, në Gjermani, AfD-ja u përball me akuzat se Maksimilian Krah – një nga kandidatët kryesorë të partisë për zgjedhjet evropiane – po merrte para nga Rusia dhe Kina.

Në të njëjtën kohë, Peter Bistron, i dyti në listën e AfD-së për zgjedhjet e BE-së, u akuzua se kishte marrë 20 mijë euro nga njerëz të lidhur me presidentin rus, Vladimir Putin, për të përhapur propagandën e Kremlinit.

Krah dhe Bistron i mohuan akuzat.

Lidhjet me Rusinë

Izabella Kisiq thotë se partitë ultra të djathta në Evropë jo vetëm se kanë qëndrim pozitiv ndaj Kremlinit, por ka raportime edhe për lidhjet e tyre financiare.

“Ka, gjithashtu, raporte të shumta se Kremlini e ka mbështetur financiarisht fushatën e Marine Le Penit [nga Tubimi Kombëtar] në Francë”, thotë Kisiq.

Në qershor të vitit 2023, komiteti hetimor i Asamblesë kombëtare franceze për ndërhyrjen e huaj vuri në dukje lidhjet ideologjike midis Tubimit Kombëtar dhe udhëheqjes ruse.

Tubimi Kombëtar ka marrë më herët kredi nga kompania ruse, Aviazapchast S.A., të cilën kundërshtarët e tij e kanë interpretuar si një shenjë të lidhjeve të kësaj partie me Rusinë.

Pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë në vitin 2022, kryetari i Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella, dhe anëtarë të tjerë të kësaj partie në Parlamentin Evropian votuan për një rezolutë të BE-së që e dënon agresionin rus kundër Ukrainës. Megjithatë, në nëntor të vitit 2022, ata abstenuan nga votimi për të ofruar ndihmë financiare për Ukrainën.

Tubimi Kombëtar kërkon kufizimin e lëvizjes së lirë të migrantëve, duke zbatuar kontrolle në kufijtë kombëtarë, si dhe bën thirrje për tërheqje nga marrëveshjet e Bashkimit Evropian për klimën.

Kisiq thotë se rritja e së djathtës ekstreme në Bashkimin Evropian nuk ka ndodhur papritur.

“Është një proces i gjatë që ka zgjatur për më shumë se një dekadë”, thotë Kisiq dhe shton se pas pushtimit rus të Ukrainës, çështja e të drejtave të njeriut është gjithnjë e më pak në fokus të Bashkimit Evropian – gjë që, sipas saj, i përshtatet ekstremit të djathtë.

“Tani, siguria e Evropës është në radhë të parë. Kam frikë se, në këtë aspekt, autoritetet do t’i mbyllin sytë para shkeljes së të drejtave të njeriut, jo vetëm në Serbi, por në të gjithë BE-në”, thotë Kisiq.

Sipas saj, çështja kryesore tani është se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Francë, të cilat do të mbahen më 30 qershor dhe 7 korrik.

“Unë do të thosha se jo vetëm opozita ultra e djathtë [në Serbi], por edhe Qeveria aktuale e djathtë presin që të ketë ndryshime në disa vende të BE-së, kryesisht në Francë. Kjo, jo vetëm se do t’i dobësonte thirrjet për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimi Evropian, por do të hapte rrugë për një bashkëpunim më të fortë mes atyre vendeve individuale evropiane, Kremlinit dhe Serbisë. Kjo është diçka nga e cila përfiton politika proruse në Serbi”, përfundon Kisiq. Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

PSE E VRAVE ARTIN TËND, SHKURTE FEJZA?- Nga MILAIM NELA

Sot paska vra veten (artistikisht) këngëtarja Shkurte Fejza!
Të marrësh atë çelës të cilin e ka marrë Goran Bregoviç këngëtari serb që ju ka bërë himne vrasësve të shqiptarëve është VETËVRASJE!
Të pranosh të takohesh dhe të nderohesh nga njeriu më anti-art që njohin trojet shqiptare nuk mund të jetë veçse vetvrasje!
Të pranojë një artiste të dekorohet nga njeriu që ka kryer gjenocid kulturor ndaj artit duke shembur në mënyrë talebaneske të vetmin teatër kombëtar që kishte kryeqyteti shqiptar është më shumë se vetvrasje!
Të pranosh të pozosh me njeriun që të gjithë shqiptarët e përtej Drinit i quan ‘shpellarë’ është më shumë se vetvrasje!
Të pranosh të fotografohesh dhe dekorohesh nga njeriu që i ka fyer, vjedhur, dhe përzënë shqiptarët më shumë se askush tjetër në krye të Bashkisë së Tiranës është më shumë se vetëvrasje, është vdekje e turpshme!
Unë sërish i bëj vetes pyetjet naive:
Çfarë e detyron një artiste kaq të njohur, kaq të dashur për shqiptarët të bëhet kaq pis me pisin më të madh të Tiranës?
Çfarë e detyron një artiste që ka frymëzuar djemtë ma të mirë të shqiptarisë të flijohen për lirinë e Kosovës të bëjë një gjest ka fyes ndaj gjakut të tyre?
Çfarë e detyron një artiste që nuk ka asnjë nevojë financiare të pranojë të pozojë dhe dekorohet nga njeriu që përfolet më shumë se kushdo zyrtar tjetër për lidhje me mafian e pastrimit të parave!
Çfarë e detyron një familjare shembullore si Shkurte Fejza të dekorohet nga një gjallesë simboli i anti-familjes?
Çfarë e detyron një artiste si Shkurte Fejza të pozojë me një njeri të cilit po i tunden prangat dhe herët a vonë burgun e ka të pashmangshëm?
Pse e vrave artin tënd, Shkurte?
Nga sot ti ju bashkove listës së të gjithë “të vdekurve” artistë, sportistë që kanë pozuar me apo janë dekoruar nga vemja më helmuese që ka drejtuar ndonjë institucion shqiptar deri më sot e nuk ma nxe goja as të ja përmend emrin!
Ai është simboli i anti-njeriut!
LAMTUMIRË Shkurte!
Paç mëshirën e Zotit!

BE zbardh skemën e vjedhjes së fondeve nga Rilindja- Pezullon financimin për IPARD III

OLAF ka përfunduar hetimin e vjedhjes së fondeve që Bashkimi Europian jep për Shqipërinë në sektorin e bujqësisë.

Në njoftimin e bërë në faqen zyrtare të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit, e njohur ndryshe si OLAF, është zbardhur mashtrimi me fondet e programit IPARD në Shqipëri, një skandal që shpërtheu një vit më parë, por që Edi Rama u mjaftua vetëm me largimin e ministres së Bujqësisë Frida Krifca, e cila më parë kishte qenë dhe drejtuese e AZHBR-së dhe drejtësia shqiptare heshti.

OLAF është një organ i mandatuar nga Bashkimi Evropian (BE) për mbrojtjen e interesave financiare të vendeve të unionit dhe u vu në lëvizje nga një denoncim i dërguar nga Shqipëria, ku tregohej skema e vjedhjes së fondeve për bujqësinë dhe dhënia e tyre personave me pushtet, ose të lidhur me qeverinë.

OLAF bën me dije se i ka rekomanduar BE-së që të parandalojë dhënien 112 milionë eurove të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzimet e panevojshme, derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm

IPARD II u krijua për të ndihmuar në modernizimin e sektorit bujqësor shqiptar në përputhje me standardet e BE-së dhe arritjen e progresit drejt anëtarësimit në BE.

Një pretendim ishte se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë e konsulencës të ‘përzgjedhura paraprakisht’, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet.

Pas një sërë hapash komplekse hetimore, përfshirë kërkimet mjeko-ligjore dixhitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve.

Këto parregullsi përfshinin:

Aplikantëve u kërkohet të paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale;

Kontratat që jepen pa konkurrencë, ose përmes një konkursi të manipuluar (me oferta false që dorëzohen);

Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale.

Pas hetimit të saj, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të konsiderojë një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për Aplikime IPARD II 33 milionë euro, si të papërshtatshme.

OLAF rekomandoi më tej që BE të parandalojë 112 milionë euro të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzimet e panevojshme, derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm.

Nisur nga aktivitetet e mundshme kriminale të zbuluara gjatë hetimit, OLAF i dërgoi edhe një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë. sn

Erion Veliaj pagoi dhjetëra mijëra euro dajën e Ajola Xoxës

Projektet kulturore, kurimi i artit, janë disa nga mënyrat që kanë përfituar njerëzit e Erion Veliajt nga fondet e dhëna nga Bashkia e Tiranës, por dhe nga qeveria.

CNA ka raportuar me dhjetëra materiale në lidhje me Ajola Xoxën, bashkëshorten e Erion Veliajt, e cila nga profesioni i saj si juriste është kthyer në kuratore arti.

Ka disa qendra për të tilla evente. Në investigimin e sotëm, CNA do të sjellë fakte dhe prova se si Erion Veliaj ka paguar familjarët e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës.

DAJA I AJOLA XOXËS ME QENDRËN “EVENTUS” DHE “ART LAB”

Në vitin 2021 në Shqipëri hapet qendra “Eventus”, e cila përfshin aktivitete në fushën e kulturës, gjithashtu dhe kompania “Art Lab”.

Sipas të dhënave që CNA ka mundur të mbledhë, rezulton se qendra “Eventus” e dajës së Ajola Xoxës ka të njëjtën adresë që kanë dhe kompanitë e mbesës, pra te rruga “Ibrahim Rugova”, Sky Tower, Tiranë.

Image

Image

Image

Pra, qendra kulturore “Eventus”, e hapur në vitin 2021, aktivitetin e saj e ushtron pikërisht në të njëjtën adresë, rrugë dhe godinë me Ajola Xoxën.

Shkojmë më tej.

SKEMA, ERION VELIAJ PAGUAN DHJETËRA MIJËRA EURO DAJËN E AJOLA XOXËS

Sipas të dhënave që ka nxjerrë CNA, Erald Simixhiu është bashkëshorti i Linda Kazanit, e cila është drejtore zyrtare e qendrës “Eventus”.

Ndërkohë Erald Simixhiu hap dhe kompaninë “Art Lab”, të cilën e ka në emër të tij në QKB sipas këtij dokumenti.

Image

Image

Deri këtu janë dy artistë që zhvillojnë evente kulturore, gjithashtu në Tiranë kanë dhënë dhe intervista, kanë bërë dhe koncerte muzikale dhe kanë ushtruar aktivitetin e tyre.

Image

Image

Por shkojmë më tej. Qendra “Eventus”, sipas të dhënave që ka siguruar CNA, ka marrë pagesa me dhjetëra mijëra euro nga Bashkia e Tiranës.

Pra, Erion Veliaj ka paguar direkt dajën e Ajola Xoxës për të zhvilluar aktivitetin e tij, por këtu jemi përballë një KONFLIKTI TË PASTËR INTERESI.

5 PAGESA NGA BASHKIA E TIRANËS PËR DAJËN E AJOLA XOXËS

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga CNA, janë 5 pagesa, të cilat shkojnë në vlerën mbi 90 milionë lekëve nga Bashkia e Tiranës, drejtpërdrejt dhënë qendrës “Eventus” nga Bashkia e Tiranës në kohë të ndryshme.

Menjëherë pas hapjes së kësaj kompanie figuron se deri më tani në këto 5 pagesa, dy fatura i përkasin vitit 2022, dy fatura i përkasin vitit 2023 dhe 1 faturë i përket vitit 2024. (FOTO, PAGESA NGA BASHKIA TIRANË)

Image

Ajo që bie në sy është fakti se pagesa e vitit 2024, në një të vetme është sa dy fatura të vitit 2022-2023.

Gjithashtu qendra “Eventus” ka pasur edhe përfitime të vogla nga Ministria e Kulturës. 

Image

(*Të dhënat të marra nga Pagesa Thesari nga Spending Data Albania databazë e AIS)

Pra, në total janë 7 pagesa për qendrën “Eventus” të dajës së Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt, 5 pagesa nga Bashkia Tiranës dhe 2 pagesa nga Ministria e Kulturës.

Këto të vërtetuara edhe nga dokumentet më lart.

Pra, çfarë ndodh?! Përveç qendrës “Eventus”, e cila merr pagesa direkt nga Bashkia e Tiranës, Erion Veliaj paguan bashkëshorten dhe dajën e Ajola Xoxës.

THELLOHET INVESTIGIMI

CNA shkon më tej. Përveç qendrës “Eventus”, i shkuam një detaji që ka të bëjë me kompaninë “Art Lab” në emër të Erald Simixhiut.

Sapo vjen në Shqipëri në vitin 2021, në pak muaj deklaron një fitim rreth 90 milionë lekë dhe në 30 qershor të vitit 2023 deklaron në Qendrën Kombëtare të Biznesit raportin vjetor të llogarive të kompanisë.

Image

Image

Dhe, çfarë ndodh me “Art Lab”-in?

Sapo vjen në Shqipëri, vetëm një vit më pas, kompania e dajës së Ajola Xoxës, Erald Simixhiut rezulton me një fitim rreth 93 milionë lekë, rreth 93 mijë euro.

Image

Dhe, e gjitha sipas dokumentit që CNA po sjell, i gjithë fitimi do të kalohet si investim.

Image

Skema është mjaft e qartë. Daja i Ajola Xoxës vjen në Shqipëri nëpërmjet dy subjekteve, një Sh.p.k. dhe një OJF.

Qendra “Eventus”, e cila merr pagesa direkt nga Bashkia e Tiranës, që drejtohet nga Linda Kazani, bashkëshortja e Erald Simixhiut, daja i Ajola Xoxës.

Dhe Erald Simixhiu hap një sh.p.k., e cila quhet “Art Lab” dhe vetëm në vitin 2022 regjistron fitim 93 milionë lekë (93 mijë euro), të cilin e kalon të gjithin si investim.

Skema duket qartë se si Erion Veliaj ka paguar dajën e Ajola Xoxës, sipas të dhënave të marra nga thesari dhe se si daja i Ajola Xoxës nëpërmjet sh.p.k. deklaron fitimin rreth 93 mijë euro në vit.

TË TJERA FAKTE NË VIJIM, PËRFSHIRJA E FAMILJARËVE TË TJERË TË AJOLA XOXËS NË SKEMA PAGESASH

Image

CNA ka thelluar investigimin për familjarët e Erion Veliajt dhe mesa duket, jo vetëm Ajola Xoxa, por dhe të tjerë në rrethin e saj janë përfshirë në skemat e fitim të fondeve apo zhvillimit të aktiviteteve duke marrë pagesa nga projekte të ndryshme aktivitetesh kulturore në Shqipëri.

Bashkia e Tiranës si financues kryesor, por edhe Ministria e Kulturës, me pagesa që janë më të pakta. Pas Ajolës që kishte hapur disa qendra për kurimin e artit, daja i saj ka hapur një qendër dhe një sh.p.k. në lidhje me muzikën.

Gjithashtu CNA do të sjellë të tjera fakte për të tjerë familjarë, por dhe lidhjet më të thella të Erald Simixhiut me Ajola Xoxën, por dhe nënës së saj, Valbona Simixhiut, ku dhe kjo e fundit është përfshirë në disa skema pagesash apo aktivitetesh të ndryshme në fushën e kulturës.

THEKSOJMË SE:

Ne kontaktuam në numrin e telefonit që është publik i qendrës “Eventus” për të marrë edhe një qëndrim të zonjës Linda Kazani Simixhiu apo të dajës së Ajola Xoxës, Erald Simixhiu, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk morëm përgjigje./ CNA

MIKLIMET E RREZIKSHËM PERËNDIMORË- Nga FEDERICO RAMPINI- Përktheu Eugjen Merlika

 

Në takimin e nivelit të lartë mbi Ukrainën nuk ishte Xi Jinping: nuk ka pranuar ftesën. Nga Moska Vladimir Putini (i paftuar) ka diktuar kushtet e një pushim zjarri. Përfshijnë bashkëngjitjen e gjithshkaje që Rusia ka zaptuar tashmë me një luftë kriminale; për më tepër edhe krahina të tjera të cilat Putini as që i ka pushtuar. Diktati më i rëndë është që Ukraina të heqë dorë nga çdo bashkëpunim ushtarak me Perëndimin. Një dorëzim pa kushte. Ukraina do të duhej t’i dhuronte agresorit madje më shumë territore nga sa ai i ka marrë me dhunë. Vetoja mbi hyrjen në NATO, për më tepër mbi marrëveshjet e dyanëshme të mbrojtjes, si ajo të ofruara nga Amerika dhe disa kombe evropianë, është parahyrja për mësymje të reja. Bilanci i lartë i jetëve të flijuara për t’u mbrojtur nga mësymja ruse do të kishte qënë e kotë.

Kush vetëquhet paqësor, e prej dy vjetësh kërkon një “zgjidhje diplomatike”, do të duhej të hapte sytë: ky është Putini. Jo prej sot. Janë treguese fletët e botuara nga New York Times mbi negociatat e shkurtit dhe marsit të vitit 2022, në muajt e parë të luftës. Që atëherë Putini, përveç cungimeve territoriale, kërkonte një Ukrainë vartëse e Rusisë, pa asnjë mundësi marrëveshjesh sigurie me Vende të tjera. Kush ka kaluar këto vite duke n’a qortuar “neve” – Zelenskin, Biden-in, Bashkimin Evropian – se nuk kemi vënë theksin mbi diplomacinë, le t’a shohë të vërtetën në sy: Putini don dorëzimin si parakusht për pushtime të mëtejshme; dhe respekton vetëm raportin e forcave.

Sot mund të ngrerë akoma më lart mëtimet e tij sepse ndihet i sigurtë në vetvete. Në frontin ushtarak Perëndimi ka grumbulluar vonesa, ndrojtje të pafund; i ka vënë armëve që i jepte Kievit shtrëngesa përdorimi, të tilla sa që i dhuroheshin dobi të stërmëdha rusëve.

Perëndimi është i frikësuar edhe në përdorimin e sanksioneve. Çështja e pasurive ruse të ngrira në bankat evropiane është dëshpëruese. Dy vjet e katër muaj ploje mbi truallin evropian nuk janë të mjaftueshëm për të shpronësuar pasuritë ruse, për t’i derdhur si dëmshpërblim popullit ukrainas. G7 nuk e ka fshirë këtë turp. Pasuritë mbeten të ngrira por gjithmonë në pronësi ruse. Vetëm një pjesë e interesit që ato prodhojnë, përdoret për të siguruar një borxh për Ukrainën. Një borxh, jo një dëmshpërblim. Ligjësimi i kaq shumë poshtërsie? Shpronësimi i pasurive ruse do të vinte në mëdyshje respektimin nga ana e evropianëve të Shtetit të së drejtës, pra të shënjtërisë së pasurisë. Evropianët – në këtë rast Amerika kërkonte një vijë të ashpër – kanë zgjedhur burracakërinë, duke vënë të drejtën e pronësisë së Putinit mbi të drejtën e jetës, të lirisë, e të sovranitetit të popullit ukrainas.

G7 ka bërë ndonjë hap përpara – me fjalë – mbi ndihmën kineze Putinit. Komunikatë përfundimtare padit që “mbështetja e vazhdueshme e Kinës industrisë ushtarake ruse, mundëson vazhdimin e luftës së paligjëshme kundër Ukrainës dhe ka pasoja të gjëra mbi sigurinë”. Jo vetëm sigurisë ukrainase por të gjithë Evropës, duke parë orekset perandorake të Putinit. Kjo frazë e G7 është vetëdijesimi i një gjëndjeje që vazhdon nga shkurti 2022. Xi Jinping i ka premtuar “miqësi të pakufishme” Putinit dhe e ka mbajtur fjalën. Armata e mësymjes ruse nuk do të kishte mundur kurrë të ngrinte fatet e saj në terren, pa mbështetjen masive, ekonomike, financiare, teknologjike të Pekinit. Shpejtësia me të cilën Putini ka shndërruar Vendin e tij në një ekonomi lufte është e lidhur me valën e furnizimeve nga Republika Popullore. Kush miklohej se Xi do të donte të bënte ndërmjetësin e paqës, nuk ka kuptuar asgjë: udhëheqësi komunist ka rrezikuar duke vënë bast për Putinin, vetëm për të shpejtuar rënien e Perëndimit.

G7 ka filluar të rishpërcaktojë rolin e Kinës: ka përmendur 28 herë në komunikatën përfundimtare, pothuaj gjithmonë si një fuqi e rrezikshme, protagoniste veprimesh armiqësore si sulmet e vazhdueshme cybernetike kundër nesh. Takimi i nivelit të lartë të Puglias kërkoi sanksione të zgjeruara kundër ndërmarrjeve kineze. Nuk është e thënë që të pasojnë veprime të përshtatëshme.

Republika popullore në tridhjet vite globalizimi është bërë e domosdoshme për ekonomitë tona. Taksat që Washingtoni e Brukseli kanë vënë së fundi kundër automobilëve elektrikë të saj janë një kundërveprim ndaj faktit që çkarbonizimi i ynë është peng i made in China. Prandaj Xi është i sigurtë se del pa u lagur, duke vazhduar të mbajë këmbët në dy botë: i mësyn tregjet tona me eksportet e tij, ndërsa ndërton një globalizim të ri kinoqëndror me Rusinë, Iranin e shumë Vende në zhvillim të Jugut të Madh Global. Qëndrimi i këtyre të fundit në takimin e Zvicrës nuk lë miklime. Arabia Saudite, Brazili e të tjerë kanë abstenuar mbi përfundimet. Kanë qortuar mungesën e Rusisë e të Kinës si një faj të organizatorëve. Zemra e tyre rreh nga ajo anë, dhe për një “asnjanësi” që nuk e kanë përqafuar mbi Gazën.

Mbas Putinit i vetmi fitues i vërtetë është Xi: merr më të mirën nga dy botë e tani për tani paguan çmime të ulta, taksa e qortime perëndimorë janë pak më shumë se thumbime gjëlpëre me kokë (mjaft të shihet boomi i eksportimeve kineze në veprim). Në kohë afat-mesme e afat-gjata Republika Popullore mund të paguajë çmime më të rënda, vetëm nëse Perëndimi ndjek me këmbëngulje dy strategji paralele: reindustrializim për të fituar autonomi dhe zhvendosje valësh ekonomike drejt Vendeve jo antagoniste si Hindia, Vietnami, Meksika. Tani për tani këto harta të reja të globalizimit janë një synim i largët; nuk shkundin siguritë e boshtit kundër-perëndimor që përtej Kinës, Rusisë, Iranit ka shumë dashamirës.

“Corriere della Sera”, 16 qershor 2024 Përktheu Eugjen Merlika

E kujt është kompetenca për hapjen e urës së Ibrit?

Ura kryesore mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën në dy komuna. (Foto:Reuters)

Simbol i ndarjes dhe vend i tensioneve janë vetëm dy nga mënyrat se si është përshkruar ndër vite ura kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në dy komuna.

Për dikë, hapja e saj është edhe simbolikë dhe çështje tërësisht politike, pasi qytetarët gjejnë rrugë alternative për të kaluar nga një zonë në tjetrën.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në javët e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.

Zyrtarë të këtij Kuvendi, madje, patën thënë se hapja e urës është edhe nën juridiksion të Mitrovicës së Jugut dhe të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një koment të zyrtarëve komunalë të Mitrovicës së Jugut, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, pati paralajmëruar në maj se ura “do të hapet shpejt”, dhe se po diskutohet me eprorët se si të bëhet kjo.

Faktori ndërkombëtar, në anën tjetër, po kërkon vazhdimisht të ketë koordinim mes të gjitha palëve të prekura që të mos përshkallëzohet situata.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, njëherësh deputet opozitar në Kuvendin e Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për hapjen e urës i takon Qeverisë së Kosovës, por se nuk beson që ajo mund të veprojë asisoj pa koordinim me faktorin ndërkombëtar, sidomos me KFOR-in.

“Nëse Qeveria e Kosovës merr vendim, frikësohem që nuk do të zbatohet nga KFOR-i”, shprehet ai.

Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës beson se liria e lëvizjes duhet të sigurohet në të gjithë territorin, por Serbia e konsideron hapjen e urës si “provokim”.

Karabinierë të KFOR-it duke patrulluar mbi urën e Ibrit. (Foto: Radio Evropa e Lirë)

Karabinierë të KFOR-it duke patrulluar mbi urën e Ibrit. (Foto: Radio Evropa e Lirë)

Kronologjia e zhvillimeve rreth urës

• Pas luftës së viteve 1998/’99, kjo urë e ndau qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe në atë veriore me shumicë serbe.

• Plani i Ahtisaarit – baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 – parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna të veçanta.

• Më 2011, serbët lokalë vendosën aty barrikadat e para, për të kundërshtuar shtrirjen e autoriteteve të Kosovës.

• Më 2013 u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut, sipas ligjeve të Kosovës.

• Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me copa betoni dhe me pemë. Pamja e re u quajt “Parku i Paqes”. Po atë vit, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në Bruksel për heqjen e barrikadave dhe për rivitalizimin e urës.

• Më 2015 u hoq Parku i Paqes, me idenë e hapjes së urës për qarkullim.

• Më 2016, palët në Bruksel u pajtuan për një plan zbatimi të marrëveshjes për urën.

• Rivitalizimi i urës u përfundua nga Bashkimi Evropian më 2018 dhe kushtoi rreth 1.5 milion euro.

Aktualisht, ura mbetet e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete.

Një tjetër problem për hapjen e urës ka qenë edhe konteksti për kufijtë komunalë.

Punëtorë të ndërtimit afër pllakës që tregonte se rivitalizimi i urës kryesore mbi Ibër është financuar prej BE-së. 17 tetor 2015. (Foto: AFP)

Punëtorë të ndërtimit afër pllakës që tregonte se rivitalizimi i urës kryesore mbi Ibër është financuar prej BE-së. 17 tetor 2015. (Foto: AFP)

“Ura e mbyllur për shkak të Serbisë, jo serbëve të Kosovës”

Rashit Qalaj e sheh hapjen e urës si problem politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka potencial të shndërrohet në problem të sigurisë. Sipas tij, përshkallëzimi i situatës varet prej qëndrimit të Serbisë, jo prej serbëve të Kosovës.

“Mënyra më e mirë do të ishte që ura të hapej në koordinim me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, sidomos me KFOR-in. Ndoshta për një periudhë kohore të shkurtër, trafiku aty të monitorohet nga Policia e Kosovës, ndërsa afër të qëndrojnë njësitet e KFOR-it”.

Qalaj beson se koordinimi është kyç dhe duhet të jetë në linjë me marrëveshjen e arritur në Bratislavë mes Kosovës dhe BE-së, një vit më parë, për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, pasi kryetarët shqiptarë morën drejtimin e katër komunave.

Marrëveshja e korrikut të vitit 2023 përcakton se Qeveria e Kosovës “nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të përshkallëzojë situatën në veri të Kosovës”.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse i ka kërkuar KFOR-it ta hapë urën, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Në të njëjtën pyetje, Zyra për media e NATO-s i është referuar vetëm komunikatës së lëshuar pas takimit të 18 qershorit mes komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në të është bërë thirrje që secili vendim për urën të diskutohet në Bruksel.

Por Qalaj, i cili ka qenë vetë pjesëtar i ekipit negociator të Kosovës kur është diskutuar për urën, vlerëson se nëse për këtë temë bisedohet në kuadër të dialogut, hapja e urës do të shtyhet.

Shqiptarët në Mitrovicë të Jugut dhe serbët në Mitrovicë të Veriut – me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë – janë të ndarë nëse ura duhet të hapet.

Për shqiptarët, hapja e urës do të ishte “gjë e mençur”, ndërsa për serbët vendim që rrit tensionet. Radio Evropa e Lirë

Ku investon mafia shqiptare? Prokurori italian: ‘E ashpër, e dhunshme dhe efikase’

Nicola Gratteri, prokurori italian ishte këtë të enjte i ftuar në një intervistë për Euronews Albania ku tha se mafia shqiptare nuk ka leverdi që t’i investojë paratë në Shqipëri.-

Sipas studimeve të tij mafia shqiptare investojnë në vende si Holanda dhe Gjermania ose Italia e veriut.

“Nuk mendoj se mafias shqiptare i leverdis të investojnë në Shqipëri. Mendoj se mafia përfshi atë shqiptaren ka interes të investoi në vende më të zhvilluara dhe të pasura ku kanë mundësi të fshehin paratë. Investimet e mafias italiane si hotele, restorante janë nga Roma e sipër, në veri të Italisë. Ndaj dhe mendoj se këto organizate dhe ato shqiptare investojnë për shembull në Holandë ose Gjermani në vende të pasura dhe  me shumë aktivitet”, tha Gratteri.

Ai tha se e njeh mjaft mirë mafian dhe ajo shqiptarja diferencohet sepse është shumë më efikse dhe ka një struktutë të dhushme.

“Mafia shqiptare është një strukturë e ashpër e dhunshme dhe shumë efikase. Ashpërsia e saj e bën të frikshme në panoramën ndërkombëtare. Shqiptarët janë shumë të vendosur në planin kriminal” tha ai.sn

Image

Dy klerikë shqiptarë do shpallen Martirë të Kishës Katolike- Papa Francesku nis procesin e lumnimit

At Gjon Gazulli  At Lugji Paliqi

Një lajm i mirë vjen sot nga Vatikani.

Papa Francesku ka firmosur dekretin papal që autorizon shpalljen Martirë të Kishës, së dy meshtarëve shqiptarë; At Lugji Paliqi i Urdhërit të Fretërve të Vegjël e At Gjon Gazulli, ish famulltar në Gjadër, Koman e Qelez të Pukës.

Të dy meshtarët shqiptarë humbën jetën për shkak të virtyteteve heroike fetare që dëshmuan në mbrojtje të Kishës Kattolike.

At Luigji Paliqi nga Janjeva e Kosovës u ekzekutua nga malazezët më 7 mars 1913 pas Luftës së Parë Ballkanike. At Luigji Paliqi ishte Rektor i Urhdërit Franceskan të Gjakovës e meshtar në famullinë e  Pejës.

At Gjon Gazulli me origjinë nga Dajci i Zadrimës së Shkodrës. Kundështar i fortë i Serbisë, deputet opozitar i qeverisë së Ahmet Zogut nuk pranoi kurrë bashkëpunimin e Shqipërisë me Serbinë. U var në Shkodër më 5 mars 1927. At Gjon Gazulli ishte dhe i pari që hapi shkollën e përbashkët fetare vajza e dajem, katolikë e myslimanë.

“Të vrarë nga urrjejtja ndaj fesë” është motivi i vendimit të shpalljes së lumnimit të tyre nga Dikasteri i Cështjeve së Shenjtorëve./ Alba Kepi-Syri.net/

Berisha flet për median rumune: Gjenerali Koldea është lidhja e vërtetë e Edi Ramës me kartelin Sinaloa

Kryetari i opozitës shqiptare, Sali Berisha, ka folur për median rumune NCN pas shpërthimit të skandalit që ka tronditur këtë vend. Një gjeneral i shërbimit sekret është rekrutuar nga këshilltari hije i Edi Ramës, Dorian Duçka për të punuar për kartelin famëzi të Sinaloas në Meksikë. Berisha thotë se gjenerali Florian Koldea është në fakt lidhja e vërtetë e Edi Ramës me kartelin meksikan

Gazetari: Përshëndetje, sot do të flasim me Shkëlqesinë e Tij, Sali Berishën, ish-president dhe kryeministër i Shqipërisë, njëkohësisht lideri i partisë më të madhe opozitare në vendin e tij dhe personi që tronditi si Rumaninë ashtu edhe Shqipërinë, duke zbuluar disa ditë më parë nga ballkoni i shtëpisë së tij, ku ai është i arrestuar ilegalisht. Zoti Berisha zbuloi një dokument absolutisht të pabesueshëm, kontratën e konsulencës së gjeneralit të sigurimit Florian Koldea me kryeministrin aktual të Shqipërisë, Edi Rama. Para se të hyjmë në temë, dhe dua t’ju falënderoj shumë, zoti Berisha, për këtë nder, dua t’ju pyes pse prokuroria refuzon të bëjë publike aktakuzën në rastin tuaj. A është sepse akuzat kundër jush janë një shaka? A jeni ju viktimë e abuzimit politik dhe gjyqësor?

Berisha: Është totalisht një proces i pastër politik. Pas katër vite hetimesh, bazuar në një dosje të rreme të paraqitur nga kryetari i atëhershëm i grupit parlamentar socialist me urdhër të Edi Ramës, nga Taulant Balla, për një proces të njohjes, kthimit të tokave të konfiskuara nga regjimi komunist dhe blerjes së aseteve të ndërtuara mbi këtë tokë, duke respektuar plotësisht ligjet, kjo dosje thotë se toka ishte shpronësuar nga italianët gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe më pas pronarët nuk kanë asgjë të bëjnë me të. Ndërsa Gazeta Zyrtare e asaj kohe tregonte qartë se toka e atij territori nuk ishte shpronësuar nga regjimi. Është krejt e kundërta. U rekuizua për gjashtë muaj dhe më pas për gjashtë muaj të tjerë dhe asgjë tjetër. Kjo tokë i përkiste 300 pronarëve. Një nga këta pronarë ishte dhëndri im, profesor Jamarbër Malltezi, dhe një proces që filloi në vitin 1995 dhe përfundoi në vitin 2009. Të gjitha ligjet janë respektuar. Nuk ka asnjë punonjës apo zyrtar nga cilado qeveri, majtas apo djathtas, nën aktakuzë apo penalizim për këtë proces privatizimi, sepse secili prej tyre ka respektuar rreptësisht ligjin. I vetmi person i akuzuar për abuzim është Sali Berisha, i cili nuk ka asnjë firmë në asnjë fazë të këtij procesi, sepse ai kaloi përmes ligjit dhe jo përmes vendimeve qeveritare. Është Berisha dhe është dhëndri im që mori nga paraardhësi i tij, paraardhësi i tij, 410 metra katrorë tokë. Kjo është e gjithë dosja, dhe me urdhër të Edi Ramës, jam vënë nën arrest shtëpiak, edhe pse nuk ka asnjë fakt apo dokument që të dëshmojë se ka pasur shkeljen më të vogël të ligjit.

Gazetari: Në rregull, por zoti President, sipas mendimit tim, kushdo që është kundërshtar i Edi Ramës mund të arrestohet pa asnjë arsye. A është kjo drejtësia në Shqipëri?

Berisha: Është e kontrolluar plotësisht nga Edi Rama. Xhorxh Sorosi, i cili është arkitekti i reformës në drejtësi, vuri sistemin e drejtësisë nën kontroll të plotë të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Pra, e ashtuquajtura drejtësi e pavarur është një degë e ekzekutivit në Shqipëri, de fakto, është një degë e ekzekutivit që zbaton ose merr urdhra direkt nga Rama.

Gazetari: Ju thatë diçka interesante javën e shkuar. Nga paratë tuaja, të dashur shqiptarë, Edi Rama pagoi konsulentë të huaj të shërbimeve sekrete dhe mafian. Kjo përzierje e mafias dhe oficerëve të shërbimeve sekrete më duket shumë e rrezikshme. Si e komentoni këtë? A keni informacione të tjera për këtë?

Berisha: Sigurisht, ka informacione publike. Ka informacione publike.

Gazetari: Zoti President, ju keni qenë president i vendit, kryeministër i këtij vendi. Pse mendoni se zoti Rama kishte nevojë për një këshilltar si Florian Koldea? Çfarë konsulence mund t’i ofronte zoti Koldea? Sepse mendoj që nuk po diskutojmë për marketingun politik, por lloje të tjera shërbimesh.

Berisha: A mund t’ju shpjegoj diçka?

Gazetari: Ju lutem.

Berisha: Edi Rama kontraktoi si këshilltar për sigurinë, ish-drejtorin e FBI-së Lou. Ai kontraktoi si këshilltar për sigurinë ekipin e tij. Por para kësaj, ai korruptoi, arriti të korruptojë kreun e kundërzbulimit të FBI-së për Nju Jorkun, McGonigal.

Gazetari: Po, po, e di.

Berisha: Ai e përdori McGonigal-in kundër opozitës. Ai e pagoi me para të pista. Dhe kur ishte në detyrë, ai u angazhua në luftë private kundër Sali Berishës dhe kundër opozitës. Ndodhi e njëjta gjë me kreun e policisë financiare italiane, Il Generale Lisi, ose i Interpol Italias a diçka e ngjashme. McGonigal mori 225,000 dollarë nga një ish-oficer i shërbimit sekret shqiptar. Gjeneral Lisi mori 30 hektarë tokë nga Sekretari i Përgjithshëm aktual i kryeministrit të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi. Dhe normalisht, Koldea ishte një aset për Edi Ramën për lidhjet e tij me Sinaloan e Meksikës. Janë dy vëllezër shqiptarë me emrin Hysa, të cilët janë njerëz të nivelit të lartë në kartelin Sinaloa.

Gazetari: Po thoni se zoti Koldea është lidhja e vërtetë e Edi Ramës me kartelin Sinaloa?

Berisha: Po, kjo është ajo që është shkruar në media. Por ajo që di është që vjet, Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm, me kërkesë të Edi Ramës, nënshkroi emërimin e Koldeas si këshilltar të Edi Ramës.

Gazetari: Pra, edhe një herë, cili mendoni se ishte ose është roli i vërtetë i Koldeas në Shqipëri?

Berisha: Bota e nëndheshme, pra, bota e krimit të organizuar.

Gazetari: Kjo është ajo që doja të thosha. Agjencia Amerikane Federale e Antidrogës në raportet e saj, DEA, po thonë prej vitesh,  prej një dekade që Shqipëria dhe mafia shqiptare është pothuajse më e rrezikshmja në botë. Dhe mafia e dytë që kontrollon trafikun e drogës në Europë ose Amerikë. Pra, nga ana tjetër, zoti Blinken viziton Edi Ramën dhe bëjnë biseda të ëmbla. Nga ana tjetër, ishte një vendim kontroversial i marrë nga Rama më shumë se 10 vite më parë për të lejuar ish-organizatën terroriste, Muxhahedinët e Popullit nga Irani, të vendosen në Shqipëri në cilësinë e emigrantëve. A kishte Shqipëria nevojë për një problem më shumë? Pse ndodhi kjo dhe cilat janë pasojat për vendin tuaj?

Berisha: Edi Rama është personi më i investuar i Xhorxh Sorosit. Nëse vini në Shqipëri, Shqipëria mund të quhet Republika Xhorxh Soros. Në shumë aspekte. Por duhet ta dini, Xhorxh Sorosi ka shumë, shumë me ndikim në politikën e jashtme të SHBA-ve në Ballkan. Nëse shikoni, nëse jeni të interesuar të shikoni të gjitha nismat ballkanike të marra jashtë procesit të Berlinit… Procesi i Berlinit është një proces i BE-së. Por krahas procesit të Berlinit, i cili mbledh gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, krahas këtij procesi, ishte Ballkani i Hapur, një projekt plotësisht i mbështetur nga Sergej Lavrovi dhe Xhorxh Sorosi. Në çdo samit, ju lutem kontrolloni, në çdo samit të Ballkanit të Hapur… Novi Sad, Shkup, Ohër, Tiranë… në çdo samit është një person i pranishëm pranë kryeministrave, dhe ky është Aleks Sorosi. Një herë pyeta, si mund të ndodhë kjo? Si mundet një njeri, që nuk përfaqëson një komb, as një organizatë ndërkombëtare, por vetëm familjen e tij, të jetë kaq i rëndësishëm në çdo samit të Ballkanit Perëndimor? M’u tha se ai është i vetmi që mund të flasë me të gjithë. Këto janë pallavra. Të gjithë flasin me njëri-tjetrin. Nuk është aspak kështu. Por këta janë njerëz të korruptuar nga Xhorxh Sorosi dhe pranojnë, në shkelje të çdo ligji ndërkombëtar, një njeri që përfaqëson vetëm veten dhe të atin, dhe jo një vend, jo një komb, jo një institucion.

Gazetari: Kam provuar të shikoj CV-në e Edi Ramës, dhe kam gjetur thjesht një seri klishesh që duket të jetë një “histori e bukur”. Por praktikisht, ne nuk dimë asgjë për disa pjesë të jetës së tij. Për shembull, një burim i imi nga shërbimet sekrete në Rumani më zbuloi se zoti Rama ka qenë edhe student në Rumani, një aspekt që nuk përmendet në CV-në e tij. Dhe i njëjti burim më tha se është shumë e mundur që Rama të ishte rekrutuar nga shërbimet e shërbimit sekret rumun, dhe kjo do të shpjegonte gjithashtu lidhjen me Koldean, ose ish-kryeministrin rumun Viktor Ponta. Çfarë mendoni për këtë?

Berisha: Më lejoni të theksoj disa fjalë për këtë. Së pari, Edi Rama është djali i zëvendësit të Nexhmie Hoxhës dhe Ramiz Alisë, Kristaq Rama. Babai i Edi Ramës nënshkroi varjen publike në gusht të vitit 1988 të një poeti disident, Havzi Nela. Ju rekomandoj të lexoni për Havzi Nelën. Dhe Havzi Nela u var, sepse ai shkroi se era e mendimit të tij do të frynte edhe në vendin tonë, dhe të drejtat e njeriut do të vinin edhe për shqiptarët. Ai e pagoi me varje. Dhe kanë qenë disa anëtarë të tjerë në presidium, në presidiumin e drejtuar nga Ramiz Alia, të cilët nuk nënshkruan, ndërsa babai i Edi Ramës nënshkroi pranë Ramiz Alisë për varjen e tij. Kjo është prapavija e tij. Nuk kam dëgjuar kurrë që ai ka qenë për studime në Rumani. Ai e ka fshehur këtë nga publiku shqiptar. Çfarë thuhet, thuhet si vijon. Ai ishte në Paris dhe sipas Fatos Nanos, ai shiste atje ikona të vjedhura. Po. Fatos Nano, që e mori nga Parisi në një kohë kur shiste ikona të vjedhura. Për kureshtjen tuaj, kur regjimi shkatërroi kishat dhe xhamitë në Shqipëri, mijëra objekte të bukura fetare dhe ikona u bënë objekte tregtie dhe tregtie të paligjshme. Edi Rama, në Paris, po shiste dhe u arrestua, sipas Gjergji Thimos, i cili është koleksionist i veprave të vjetra të artit. Rama u arrestua dhe gjithashtu iu dha një numër si një i burgosur në Francë nga policia franceze. Ai ka një të kaluar shumë të errët. Tani… bashkë me të është edhe një personazh tjetër. Tani është ministër i brendshëm dhe ai është Taulant Balla. Taulant Balla ka studiuar në Rumani. Sipas burimeve diplomatike, këshilli ynë në Rumani dërgoi i ka dërguar një njoftim Ministrisë së Brendshme se Balla merret me trafikim njerëzor, trafik prostitutash. Vetë Balla prezantohet me Koldean. Në fakt, Balla është personazhi që u zbulua se ka bërë 54 udhëtime me Edmond Begon, një person i dënuar në Itali 18 vjet si kryetrafikant. Domethënë, me këto 54 udhëtime me pasaporta diplomatike, ka baza të forta të mendosh se ai transportonte me valixhe diplomatike kokainë ose drogë. Pra, është një grup. Vetë Rama ka bërë… në dy vjet… 141 udhëtime me avionin e tij taksi, me avionin e tij personal. Avion taksi. Ka shumë zëra se ai ka transportuar me valixhe diplomatike në këto udhëtime narko-euro dhe drogë. Por në dy vjet, 141 udhëtime me avion privat, mendoj se kjo është unike.

Gazetari: Ju jeni ish-drejtues i këtij vendi dhe jeni politikan me shumë përvojë. A mendoni se politikanët rumunë duhet ta ndjekin penalisht z. Koldea për tradhti të lartë të vendit, duke pasur parasysh ato që po dëgjojmë tani?

Berisha: Mendoj se zoti Koldea duhet të hetohet plotësisht për lidhjet e tij. Tani ju më thoni se Rama ndoshta ka qenë njeri i besuar i shërbimit sekret rumun, se ndoshta Rama duhet trajtuar si tradhtar i Shqipërisë dhe duhet të ndiqet penalisht. Nuk jam në dijeni se cilat janë realisht marrëdhëniet intime sa i përket temës së tradhtinë, por për sa i përket aferave të tjera, kanë dalë në dritë lidhjet me Sinaloan, festat e kokainës në Tiranë nga një grua e çuditshme, etj. sn

Nis debati gjyqësor për reduktimin e zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës

Laguna e Nartës

VOA/Raimond Kola

Disa organizatat mjedisore shqiptare thanë të mërkruën përmes një deklarate se kanë nisur në Gjykatën Administrative të Tiranës debatin gjyqësor për çështjen e reduktimit të sipërfaqes së Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Padia është ngritur nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare (AOS) dhe disa organizata mjedisore ndaj Këshillit të Ministrave, Këshillit Kombëtar të Territorit, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Sipas organizatës AOS, paditësit të përfaqësuar nga avokatë të Qendrës “Res Publica” dhe Studio Avokat “Meçi”, paraqitën të gjitha argumentet në lidhje me shkeljet e kryera sipas tyre për reduktimin e zonës së Nartës, duke evidentuar ndikimin e rëndë në aspektet mjedisore lokale.

Ndër shkeljet kryesore të përmendura janë ato të konventave kombëtare për mbrojtjen e mjedisit, ligji për zonat e mbrojtura, ligji për mbrojtjen e biodiversitetit, ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ligji për vlerësimin strategjik mjedisor, si dhe çdo plan dhe strategji kombëtare përkatëse kombëtare ose vendore duke rezultuar në cenimin e integritetit të kësaj zone të rëndësishme kombtare dhe ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e organeve shtetërore kanë dekalruar se një nga zonat e hequra nga mbrojtja në Zonën e Nartës nuk ishte për shkak se i mungonte vlera, por sepse qeveria kishte vendosur të ndërtonte një aeroport për t’i shërbyer turizmit në rajon dhe më gjerë.

Sipas autoriteteve qeveritare në thelb projekti parashikon investim në zonën ku dikur ka qenë aeroporti i vjetër dhe janë parë mundësitë që projekti të respektojë rregullat për mjedisin.

Organet shtetërore përgjegjëse kërkuan kohë shtesë për të dorëzuar informacionin me shkrim pranë gjykatës. Ndërkohë në seancën e radhës më 10 korrik do të dëgjohen biologë ekspertë të florës dhe faunës, si dhe ekspert i sistemit GIS.

Peizazhi i mbrojtur Vjosë-Nartë është sipas vlerësimit të organizatave një ndër sistemet ekologjike më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në vend, shtëpi e llojeve të rëndësishëm të florës dhe faunës dhe pjesë e disa rrjeteve ekologjike ndërkombëtare, korridorit shtegtues të Adriatikut, me më shumë se 220 lloje shpendësh.

Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës u kërkoi autoriteteve shqiptare pezullimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe ndërmarrjen e një programi gjithëpërfshirës të monitorimit të jetës së egër dhe rishikimin e të dhënave të Raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për zonën ku po ndërtohet aeroporti.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi në nëntor të vitit 2021 nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohej nga “Mabetex” e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, “Yda Group”, e cila kishte 48 % të aksioneve , ndërsa 2 % i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”.

Në Mars të vitit të shkuar shoqëria turke u tërhoq nga konsorciumi dhe Kompania Mabco Constructions, ka marrë në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pasi bleu me 4450 euro aksionet që zotëroheshin nga kompania turke.

Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 104 milion euro.

Pak ditë më parë në një aktivitet për turizmin kryeministri Edi rama deklaroi se Aeroporti i Vlorës sipas të gjitha gjasave do përfundonte punimet brenda këtij viti.

“Aeroporti do të kalojë në periudhën e testit dhe certifikimeve në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm, dhe do të jetë operacional në sezonin e ardhshëm turistik me një operator që vetë emri i thotë të gjitha, është aeroporti i Mynihut”, tha zoti Rama.

Krimi, feja, politika dhe bixhozi, në “luftë” për Kepin e Rodonit!

Miliona metra katrorë në dy gadishujt shqiptarë, Karaburun dhe Kepi i Rodonit, tentojnë të rrëmbehen nga një aleancë e organizuar mes krimit, gjyqësorit dhe politikës. Babëzia ka prekur edhe klerikët apo organizatat fetare. Krimi nis nga falsifikimi i dokumenteve, nga procese gjyqësore, formale e deri te kanosja e kërcënimi për cilindo që tenton të vendosë barriera e të prishë skenarin për të “shtënë në dorë” sipërfaqe bregdetare, nga më të mirat në vend.

Rruga për në Kepin e Rodonit kalon në një zonë bregdetare, tejet të lakmuar në vitet e fundit.

Pasi lë autostradën Tiranë-Durrës në zonën e Maminasit, nisesh drejt Hamallajt. Brezi i pishave tashmë është ngushtuar nga pallatet dhe nga vilat, të shtyra deri në bregun ranor.

Pas Gjirit të Lalzit, radhën e ka Kepi i Rodonit. Influenca e pushtetit, por edhe e krimit, e ka lënë atë jashtë statusit “Peizazh i Mbrojtur”. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Ministria e Mjedisit kanë propozuar që gadishulli prej 1.500 ha të mbrohet nga shteti. Propozimi ka mbetur vetëm në letër.

Në zonë është vetëm një monument natyre, Maja e Kepit të Rodonit, dhe dy monumente kulture, Kalaja e Skënderbeut dhe kisha e Shën Ndojit.

Sa kalon fshatin Shetaj, në drejtim të Kepit, në hyrje është vendosur një tra. Pjesa fundore e Kepit të Rodonit, ajo e pyllëzuar, është rrethuar dhe në hyrje ka tabelën: “Pronë private e Kishës Françeskane Shqiptare”. Duhet të blesh biletën, për t’u futur brenda gadishullit.

Në hyrje janë të njëjtët persona, që u konfliktuan mesditën e 29 tetorit 2023. Atë ditë, ish-deputeti, Mark Frroku, me disa roje, u rrahën me banorët e fshatit. Ish-deputeti ka tentuar që të rrethojë edhe prona të banorëve të fshatit, të cilat i kanë me certifikata pronësie. Policia i arrestoi të dyja palët për “Plagosje të rëndë, me dashje”, “Vetëgjyqësi”, “Kanosje”, “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishje të rendit”. Policia tha zyrtarisht se në vendngjarje është gjetur edhe një gëzhojë arme zjarri. “Në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatat e pronësisë, janë referuar disa herë materialet në prokurori”, – pohoi policia.

Certifikata E Familjes Kaculi
Certifikata E Familjes Kaculi

Faksimile: Certifikatat e pronësisë së familjes Kaculi dhe certifikata e Provincës, ku e njëjta sipërfaqe ka 2 pronarë

Konflikti bëhet për një tokë me dy certifikata pronësie. Familja Kaculi ka fituar 5.470 metra tokë me Ligjin 7501. Në Kadastër prona ka numër pasurie 30\6. Bajram Kaculi, një nga të shumtit që u mbajt disa orë në polici në fund të tetorit, tregon se pronën e tij duan ta marrin persona, për të cilët s’ka dijeni se çfarë përfaqësojnë.

“Në krye të tyre është Ndue Sokoli, vëllai i avokatit, që mbron interesat e Provincës Françeskane, Gjergj Sokoli. Jemi zënë disa herë. Por, atë ditë ka qenë edhe ish-deputeti, Mark Frroku, dhe të tjerë njerëz të armatosur”, – thotë Kaculi për INA Median.

Sipas policisë, ish-deputeti Mark Frroku donte që ta rrethonte pronën, me dy pronarë. Ai u arrestua dhe u lirua pas disa ditësh.

“Është regjistruar procedimi penal nr. 2222, datë 30.10.2023, për veprat penale “Kanosje”, “Vetëgjyqësi” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe i municionit”, procedim, i cili është nën hetim. Hetimet për këto çështje penale vazhdojnë me përparësi dhe në përfundim të tyre do të bëhet njoftimi i palëve në proces për vendimmarrjen e prokurorit, sipas përcaktimeve në Kodin e Procedurës Penale”, – shkruhet në përgjigjen e Prokurorisë së Durrësit, drejtuar INA Medias, në datën 28 shkurt 2024.

Ish-deputeti më herët është hetuar dhe është gjykuar për vrasje, për pastrim parash, për fshehje pasurie dhe për ndërtim të paligjshëm. Prokuroria e Tiranës kërkoi 25 vite burg, por gjykata e dënoi me 6 vite, duke i hequr akuzën e vrasjes. Pas dënimit, Frroku u largua nga politika, duke drejtuar bizneset e tij. Në vitin 2016, Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimet pas dyshimeve se një pjesë e pasurisë së tij është krijuar nga burime të paligjshme, kryesisht nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotrafikut dhe prostitucionit”.

Në vitin 2021, KRRT-ja i dha leje kompanisë A.M-L Group, në pronësi të Mark Frrokut, për “Ndërtimin e impiantit gjenerues të energjisë elektrike, eolike, me kapacitet 2 MV”, në Pukë. Dikur, në këtë shoqëri ka qenë aksioner edhe z. Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e oficerit të policisë, Dritan Lamaj.

Për ngjarjen e 29 tetorit të vitit 2023, Frroku qëndroi në qeli 72 orë, teksa u lirua me masën “Detyrim paraqitjeje” nga gjykata. Ai tha se ishte kontaktuar nga Provinca Françeskane, e cila ka një certifikatë pronësie në fshatin Shetaj, me numër pasurie 31 dhe me sipërfaqe 4.114 metra katrorë. Por, hartat e të dyja pronave, ajo e familjes Kaculi (5.470 metra katrorë) dhe kjo e Provincës Françeskane (4.114 metra katrorë) janë në të njëjtin vend; me një plan vendosjeje. Provinca thotë se familja Kaculi nuk e ka atje, ndërkohë që familja Kaculi thotë se Provinca është shpronësuar për këtë pronë.

Faksimile Vendimi I Agjencisë Së Kthimit Dhe Të Kompensimit Të Pronave
Faksimile Vendimi I Agjencisë Së Kthimit Dhe Të Kompensimit Të Pronave

Faksimile: Vendimi i Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave, me numër 416, me titull “Për njohjen e së drejtës së pronësisë, kthimin dhe\ose kompensimin e pronës 

Vendimi i datës 31 janar 2008 i njeh Kishës Katolike, Provinca Françeskane Shqiptare, sipërfaqen prej 1.183.400 metrash katrorë. AKKP në pikën 3 të vendimit shkruan për të kompensuar Kishën me sipërfaqen 29.300 metra katrorë, madje edhe për pasurinë 30\6, pasuri, e cila i përket familjes Kaculi, për të cilën u zhvillua edhe konflikti me armë.

Ana Shtjefni, administratore e firmës Albania Tourist Resort, e ka pasur në administrim këtë pronë, me një kontratë me Kishën Françeskane, që përfshinte rrethimin e pronës, si dhe shfrytëzimin e saj.

“Firma ime është akoma përfaqësuese e Provincës Françeskane për atë zonë. Mua më kanë larguar me forcë individë me të shkuar kriminale. Jam konfliktuar fizikisht me rojet, me në krye Ndue Sokolin. Më kanë larguar, se nuk pranova që t`i rrethoja pronat e banorëve të fshatit Shetaj, madje edhe të familjes Kaculi. Ata kanë certifikata të rregullta pronësie”, – thotë Ana Shtjefni.

Sipas saj, konflikti i tetorit është “maja e ajsbergut”, pasi me vendime dhe me procese civile dhe administrative personat afër Provincës Françeskane po tentojnë që t’i marrin shtetit një sipërfaqe të konsiderueshme, jashtë zonës së rrethuar tashmë. Janë rreth 30 procese gjyqësore, civile dhe penale, të regjistruara në Gjykatën e Durrësit.

“Është bërë një marrëveshje e dyshimtë, ku disa persona po tentojnë që të marrin miliona metra katrorë në të gjithë Kepin e Rodonit. Personalisht, disponoj dokumente për një gjyq të nisur në Gjykatën e Durrësit, ku padia është bërë nga avokati i kësaj Province, z. Gjergj Sokoli.

Ky i fundit është vëllai i z. Ndue Sokoli, i cili qëndron në hyrje të Kepit bashkë me disa persona”, – pohon zonja Shtjefni.

INA Media shfletoi dhjetëra padi të bëra në Gjykatën e Durrësit, ku po tentohet që një super-pasuri shtetërore, prej miliona metrash katrorë, të privatizohet.

Sipas dokumentit , në vitin 2019, Provinca Françeskane padit Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, Këshillin e Ministrave, Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe Bashkinë e Durrësit dhe kërkon njohjen si pronar të 5.586.363 m2 “pyll” dhe kullotë”, në fshatin Shetaj, Durrës.

Sipërfaqja, që kërkon kjo Provincë, shtrihet në pjesën jugore të Kepit të Rodonit, pyll i patrajtuar me Ligjin 7501. Zona kap edhe plazhet më të bukura të Kepit, pikërisht “plazhin e bardhë” dhe shtrihet deri në Shën Pjetër, në kufi me Gjirin e Lalzit.

Harta E Prones
Harta E Prones

Në foto: Harta e të gjithë pronës 5.5 milionë m2, që Provinca kërkon t’ia marrë shtetit

“Përpos gjyqit, i dyshimtë është edhe dokumenti i origjinës. Provinca s’ka asnjë të drejtë mbi këtë pasuri, pasi me vetëm një toponim në një dokument të tyre, të vjetër po marrin gjithë këtë pasuri”, – pohon Ana Shtjefni.

Ajo aludon se personat, që u konfliktuan në tetor, me në krye ish-deputetin Frroku apo edhe të tjerë me precedentë penalë, kërkojnë administrimin e kësaj pasurie.

“I gjithë fokusi i tyre është te kjo pasuri. Ata kanë vënë në lojë një mekanizëm të mirëfilltë, duke filluar nga avokati Gjergj Sokoli, i cili ka qenë hetues në Prokurorinë e Durrësit. Më pas kanë mbledhur personazhe të politikës”, – shton zonja Shtjefni.

Aktualisht, pjesa më e madhe e sipërfaqes, që kërkon Provinca, është shtetërore. Janë ndërtuar disa lokale, me kontratë qiraje prej 30 vitesh nga Bashkia e Durrësit.

Arbeni Resort, në anën jugore të Kepit të Rodonit, në breg të Detit Adriatik, ka pronarë 3 pjesëtarë të familjes Alla, Vath, Xhaferr dhe Selim Alla, si dhe Romeo Çupin, secili nga 25% të aksioneve.

Në aktin e themelimit të shoqërisë shkruhet se kohëzgjatja e ushtrimit të aktivitetit të shoqërisë është për 30 vjet. Në vitin 2018 ish-kryeministri, Sali Berisha, ka shkruar në profilin e tij në FB: “Shkatërrohet prona nga persona të inkriminuar dhe të dënuar më parë, Vath Alla, me leje të Vangjush Dakos. Kanë prerë pemë, hedhin inerte brenda pronës së Kishës, për të ndërtuar në një ranishte, që ata pretendojnë se e kanë marrë me qira nga bashkia”.

Në qershor 2019, emri i aksionerit të këtij resorti, Vath Alla, doli në përgjimet e dosjes 339, të publikuara nga gazeta gjermane, Bild. Përgjimet ishin mes Astrit Avdylajt, i dënuar me 12 vite heqje lirie për trafik droge, dhe ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

“Në këtë përgjim Astrit Avdylaj telefonon Dakon. Nga biseda del se Astrit Avdylaj ndodhet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në Durrës, në praninë e drejtorit të zyrës dhe Vath Allës, një ish-i dënuar për vrasje, për të “mbaruar” një punë për llogari të Allës”.

Më tej vijon se, Avdylaj i kërkon Dakos, që “të anulojë planet e tij për të udhëtuar në Ishëm, për të siguruar që, “puna”, që Alla po kërkon, të përfundohet te zyra e Hipotekës nga drejtori, që telefonon Allën dhe më pas Dakon për t’u takuar me të dhe me të dënuarin për vrasje, Vath Alla. Dako pranon dhe ndryshon agjendën”, – shkruan gazeta gjermane, Bild.

Banorët, me të cilët bisedoi INA Media, që nga frika dëshironin të mbeteshin anonimë, thanë se në zonë janë parë edhe personazhe të botës së krimit, si Aleksandër Laho, i njohur me emrin “Rrumi i Shijakut”.

“Lëvizte në zonë para 3 vitesh. Pas shpalljes së tij në kërkim dy vite më parë, kemi parë vëllanë e tij, që ka qenë drejtor i një drejtorie në Durrës”, – pohon një banor.

Më 1 nëntor 2021 Lahos iu bë atentat në autostradën Tiranë-Durrës. Ai udhëtonte bashkë me prokurorin Arian Ndoja. Të dy u plagosën, ndërkohë që shoferi, Andi Maloku, vdiq.

Një vit më vonë, në nëntor 2022, Gjykata e Posaçme lëshoi masën e sigurisë “Arrest me burg, në mungesë” për Aleksandër Lahon, me akuzën e korrupsionit për dosjen e tjetërsimit të pronave në Gjirin e Lalzit. Aktualisht, çështja e tij është duke u gjykuar në Gjykatën e Posaçme. Kjo gjykatë sekuestroi mbi 400 mijë metra katrorë tokë në bregdet, për të cilën dyshohej se “Rrumi i Shijakut” e kishte marrë me dokumente false. 200 mijë metra katrorë në Gjirin e Lalzit dhe 203.100 metra katrorë në fshatin Shetaj, në Ishëm.

Në dosjen e SPAK-ut janë edhe 2 video të regjistruara në vitin 2017, ku “Rrumi” shfaqet duke bërë pazar dhe duke i dhënë ryshfet Irgen Kërçukut, përfaqësues i Avokatit të Shtetit, që të tërhiqej nga ankimimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të pronave.

Skema është e njëjtë edhe me proceset që janë në gjykim, ku Avokatura e Shtetit thuajse i ka braktisur dhe nuk merr pjesë, madje edhe në gjyqin prej 5.5 milionë metrash katrorë në Gjykatën e Durrësit.

INA Media i ka dërguar një kërkesë për informacion Avokatit të Shtetit, por ky institucion refuzoi të përgjigjej.

Provinca ka bërë dhjetëra padi për “njohje pronari”.

“Dyshimet janë se mund të ketë ndonjë marrëveshje mes njerëzve, që po i rrinë tani afër, për të marrë apo për të ndërtuar në atë pronë”, – thotë Ana Shtjefni.

Mega-procesi i pronës në Kepin e Rodonit, që ka pasur një të ngjashëm edhe për pronat në Hamallaj, ka shkuar deri në Gjykatën e Lartë. Gjyqtarët e Shkallës së Parë e kanë dërguar direkt në “kupolën” e gjyqësorit.

Çështja është regjistruar në Gjykatën e Lartë më 19 maj 2021, me shpjegimin: “Ardhur prej Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës”. Pasi është caktuar edhe relatori, gjyqtari Ervin Pupe, çështja është “në pritje” për t’u gjykuar!

Sërish, palë janë Provinca kundër Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Agjencisë së Trajtimit të Pronave apo edhe kundër Bashkisë së Durrësit. Objekti i padisë\akuzës është: “Detyrimi i palëve të paditura për të njohur pronarin e pasurisë 5.5 milionë metra katrorë”.

Ndërtimet E Para Të Komplekseve Turistike Në Kepin E Rodonit
Ndërtimet E Para Të Komplekseve Turistike Në Kepin E Rodonit

Në foto: Ndërtimet e para të komplekseve turistike në Kepin e Rodonit

Kur në terren kanë plasur armët dhe në të tria shkallët e gjyqësorit po zhvillohen beteja influencash, në pjesën veriore të Rodonit kanë “mbirë” edhe resortet e para. Në afërsi të pronës “mollë sherri” është ndërtuar fshati i parë, turistik me vila një apo dykatëshe. Resorti quhet Cape of Rodon. Komiteti i Investimeve Strategjike i dha kompanisë Premium Finance Invest, më 15 korrik 2021, 1.086.6 ha në zonën e Kepit të Rodonit, Durrës, për vetëm 1 euro!

Vendimi mban numrin 6/5 dhe ka një emërtesë: “Për miratimin e statusit investim/investitor strategjik – procedurë e veçantë për projektin e investimit me potencial strategjik Cape of Rodon, faza 1, i propozuar nga subjekti Premium Finance Invest”.

Përpara se të merrte statusin e Investitorit Strategjik, firma kishte si aktivitet të saj bixhozin.

Në vendimin e AIDA-s shkruhet se, projekti parashikon ndërtimin e hoteleve, të vilave, të rezidencave, të fushave të golfit dhe të shërbimeve të ndryshme. Por, firma që u shpall investitore, nuk ka pasur dakordësi për të gjithë këtë sipërfaqe. Ajo u detyrua, që ta ndajë projektin në disa faza të ndryshme.

“Masa kryesore, mbështetëse, që kërkon subjekti nëpërmjet procedurës së veçantë, për të cilën aplikon, është që projekti të miratohet me ligj të veçantë, por projekti i dorëzuar për sipërfaqen prej 1.086.6 ha nuk u vlerësua ende i maturuar për këtë masë mbështetëse”, – shkruhet në vendim. Fjalët e përdorura në këtë vendim janë të zgjedhura dhe nuk bëjnë fjalë për një refuzim, pasi “subjekti e ka ndarë projektin me faza dhe faza e parë, për të cilën aplikon dhe plotëson kriterin financiar, ndahet në katër nënfaza”.

Firma Premium Finance Invest parashikon investim me vlerë 51.369.355 euro.

“Faza e parë e projektit parashikon ndërtimin e një hoteli me 4 yje, me sipërfaqe 26.150 m2.

Do të ketë 250 dhoma, si dhe shërbime në funksion të tij, 30 vila me sipërfaqe totale prej 16.200 m2, një kantinë vere, me sipërfaqe prej 2.000 m2, një park ujor, me sipërfaqe 500 m2.

Projekti i propozuar shtrihet në një sipërfaqe trualli prej afërsisht 44.850 m2, e cila ndodhet në ZK. 3365, Bashkia, Durrës”, – thuhet në këtë vendim.

Sipas dokumenteve të depozituara në QKB, Premium Finance Invest zotërohet me 100% të aksioneve nga firma SIG Holding GmbH. Ndërkohë, pronar i SIG Holding GmbH është z. Bledar Sinani.

Redaksia e INA Medias i dërgoi një kërkesë për koment kësaj firme, por deri në publikimin e këtij investigimi nuk pati asnjë përgjigje.

Emri i z. Bledar Sinani është i lidhur me bixhozin në Shqipëri, sepse ka në pronësi ose në përdorim pjesën më të madhe të kazinove. Ai zotëron 100% të shoqërisë WSI, ndërsa shoqëria WSI zotëron 100% të kapitalit tek Imperium, ish-Royal Eagle Casino.

Duket se “lufta” është për të gjithë Kepin e Rodonit, ku krimi, qeveria, investitorët apo edhe vetë feja po tentojnë që ta privatizojnë me ç’të munden.

Karaburuni, një mal dokumentesh “false” për të rrëmbyer gadishullin
Dy faqe letër në formën e një vendimi të Gjykatës së Vlorës, të firmosur nga Thoma Nika, më 29 dhjetor të vitit 2000, shpallën pronar të 220 hektarëve në gadishullin e Karaburunit varrmihësin e qytetit të Vlorës, Raimond Mëzin. Në vendim argumentohet se në prill 1996 Agjencia e Kthimit të Pronave i ka refuzuar kthimin e pronës Raimond Mëzit, duke i mohuar kështu një të drejtë të tij, kushtetuese. Ky vendim u konservua 12 vite. Në vitin 2012, sipërfaqja prej 220 hektarësh është regjistruar në emër të Raimond Mëzit.

Po në këtë periudhë në Zvërnec sërish në emër të varrmihësit, Hipoteka regjistron edhe 89 hektarë të tjerë. Këtë radhë si dokument për regjistrimin e pronës shërbente një vendim i gjyqtarit të ekzekutuar në mënyrë mafioze në Vlorë, Skerdilajd Konomi.

Për dy vite me radhë asnjë transaksion nuk është kryer në emër të Raimond Mëzit.

Edhe pse pothuajse njeriu më i pasur në Vlorë, me qindra hektarë tokë në zonën më të bukur të vendit, INA Media mësoi se Mëzi jetonte në një banesë të varfër, në lagjen Partizani, në Vlorë.

Më 2 tetor 2014, në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, pasuria prej 220 hektarësh është ndarë në dy sipërfaqe. 90 hektarë dhe 130 hektarë. Një javë më pas, më 10 tetor 2014, përfaqësuesi me prokurë i Raimond Mëzit, avokati Enkes Hysendhima, iu ka shitur 90 hektarë kompanive House of Arts dhe Digitalnetworks për 180.000 euro.

House of Arts është kompania e ish-deputetit socialist, Fidel Ylli, që administrohet nga Elida Heba dhe merret me organizim eventesh; ndërsa Digitalnetworks zotërohet nga biznesmeni Gerian Kuka, njëherazi Konsull Nderi i El Salvadorit në Shqipëri.

Pjesa e mbetur prej 130 hektarësh në Karaburun shkëmbehet me Artur Shehun – një personazh kontrovers i viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të SHBA.

Kontrata e shkëmbimit, e kryer më 4 dhjetor 2014, mban firmat e Enkes Hysendhimës, përfaqësues me prokurë i Raimond Mëzit, dhe Pëllumb Petritajt, përfaqësues i Artur Shehut.

Petritaj e ka ndarë pronën në 4 pjesë përgjatë periudhës mars-tetor 2015. Në mars të vitit 2015, pesë hektarë i janë shitur për 9 milionë e 850 mijë lekë Arian Laçit, një tjetër biznesmen kontrovers, i dënuar në Itali për trafikimin e lëndëve narkotike; ndërsa në janar 2016, Pëllumb Petritaj ka shitur 20 hektarë te biznesmeni vlonjat, Thodhori Gjiknuri, për 39 milionë e 600 mijë lekë.

Të njëjtin fat pësoi edhe sipërfaqja prej 89 hektarësh. Të gjitha kontratat janë nënshkruar në një periudhë të shkurtër, kohore dhe tek i njëjti noter. Po kaq e shkurtër ka qenë edhe koha e regjistrimit të tyre te personat e tretë.

Kur ka përfunduar operacioni i parë i tjetërsimit të kësaj sipërfaqeje, familja Bodo, pretendente për një sipërfaqe toke në Karaburun, në janar 2016 dorëzon në prokurori denoncimin për tjetërsim pronash.

Në shkurt të vitit 2016, prokurori i Vlorës, Albert Kuliçaj, urdhëron arrestimin e Raimond Mëzit, në emër të së cilit është regjistruar prona, të avokatit të tij, Enkes Hysendhima, të ish-punonjëses së Hipotekës së Vlorës, Blerina Dhrami, të noteres që kishte kryer transaksionet e shitblerjes, Belona Seraj, si dhe të Donika Besimajt, përgjegjëse e Arshivës në Gjykatën e Vlorës; të gjithë të përfshirë në skemën e falsifikimit të dokumenteve.

Në qershor 2016, Prokuroria e Vlorës shpalli në kërkim edhe biznesmenin Pëllumb Petritaj, përfaqësuesi i Artur Shehut, si i përfshirë në këtë skemë falsifikimi. Por, në korrik 2017, kur prokuroria dorëzoi në gjykatë kërkesën për gjykim, Petritaj dhe një notere u përjashtuan nga akuzat.

Zanafilla e falsifikimeve të njëpasnjëshme ngrihet mbi një vendim të vitit 1996 të Komisionit të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave në Vlorë, sipas të cilit Jakup Mëzit, babai i Raimond Mëzit, i njihet një sipërfaqe prej 6.600 metrash katrorë tokë. Mbi këtë dokument është prodhuar një tjetër dokument fals, që njeh familjen Mëzi si zotëruese të sipërfaqes prej 220 hektarësh.

Dokumentet tregojnë se sipërfaqja e pronës, e përfituar në mënyrë të jashtëligjshme, është tjetërsuar te të tretët nëpërmjet kontratave fiktive të shitjes. Pronari, në emër të së cilit është regjistruar prona 309 ha, Raimond Mëzi, e kthyer, në Karaburun dhe në Zvërnec, nuk ka aplikuar kurrë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive apo në gjykatë për këtë pronë. Para prokurorëve ka deklaruar se, te noteri ka firmosur fletë të bardha.

Emri i Raimond Mëzit është përdorur vetëm për sigurimin e pronës, e cila më pas është shitur nga Enkes Hysendhima, falë një prokure përfaqësimi.

Varrmihësi i qytetit të Vlorës, jetim, është birësuar nga Jakup Mëzi, kur ishte vetëm 1 vjeç.

Në vitin 1994 ai ka kërkuar në Agjencinë e Kompensimit dhe Kthimit të Pronave pronësinë e sipërfaqes 61.400 m2 tokë në qytetin e Vlorës. Gjyqtari Thoma Nika ka deklaruar se kurrë nuk ka zhvilluar një proces të tillë, gjyqësor. Vendimi i gjyqtarit të ndjerë, Konomi, sipas prokurorisë, është i falsifikuar. Madje, prokuroria dyshon se e gjithë dosja gjyqësore është falsifikuar.

Dosja penale është në Gjykatën e Apelit, sepse Prokuroria e Vlorës mbeti e pakënaqur nga Gjykata e Faktit, e cila, në mars 2018, shpalli fajtorë katër nga pesë të akuzuarit për falsifikimin e pronës në Karaburun.

Trupi gjykues, i përbërë nga Albert Spiro, Albana Selmanaj dhe Laurent Fuçia, shpalli përgjegjës kryesor Raimond Mëzin dhe vendosi dënimin e tij me 18 vjet burg. Avokati i tij, Enkes Hysendhima, i cili akuzohej nga Prokuroria e Vlorës si një ndër protagonistët e falsifikimit të tokës, u shpall i pafajshëm nga trupi gjykues. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Hysendhimës me 24 vjet burg.

Betejat në gjykatë
Mëngjesin e së premtes, më 22 qershor 2017, Vjosa Bodo, e shoqëruar nga xhaxhai i saj, Isufi, zuri vend në karriget e para, të vendosura për publikun në komisionet e vetingut.

Seanca dëgjimore ishte për personin, që ata e bënin përgjegjës për mohimin e së drejtës së pronës, gjyqtarja Brikena Ukperaj.

Vetingu për gjyqtaren, e cila kandidonte për në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ishte shansi i fundit për familjen Bodo. Në nëntor të vitit 2017, Gjykata e Apelit të Vlorës, ku Ukperaj ishte relatore e çështjes, rikthehu për gjykim një çështje, që Vjosa e konsideronte një betejë të fituar.

Bëhej fjalë për një padi civile, që familja Bodo kishte hapur që në janar të vitit 2016.

Në prill të vitit 2017, Gjykata e Shkallës së Parë, Vlorë pranon aktpadinë e vëllezërve Bodo, duke shpallur se tjetërsimi i pronës është bërë nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.

Pjesë e vendimit është edhe kthimi i një sipërfaqeje totale prej 404 ha tokë në Karaburun trashëgimtarëve Bodo, si dhe rregullimi i pasojave të krijuara në Zyrën e Regjistrimit të Pronave si rezultat i kontratave të shitblerjes.

Vendimi ankimohet në Gjykatën e Apelit nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive, si dhe nga dy kompanitë private, të cilat rezultojnë dhe përfitueset e pronës.

7 muaj më vonë trupa gjykuese, e përbërë nga Skënder Damini, Gjinovefa Gaba dhe nga relatorja, Brikena Ukperaj, e rrëzon vendimin, duke argumentuar se është marrë në shkelje të rëndë të një sërë normash procedurale.

Për shkeljet e konstatuara në këtë vendim Gjykata e Apelit vendosi më 11 nëntor 2017 rikthimin e çështjes në gjykim me një tjetër trupë gjykuese.

Por, dhe pse vendimi është marrë nga një treshe gjyqtarësh, familja Bodo akuzoi relatoren e dosjes se kishte shkelur afatet ligjore. Gjyqtarja e kaloi procesin e vetingut, por çështja e pronave, ku ajo ishte implikuar, është ende në proces gjykimi.

Në shkurt 2022 një tjetër trupë gjykuese e Apelit, Vlorë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor dhe urdhëroi çregjistrimin nga regjistrat hipotekarë të të gjithë pronës së përfituar nga varrmihësi dhe të tjetërsuar nëpërmjet kontratave të shitjes. Vendimi njohu bashkëpronësinë e vëllezërve Bodo, si dhe kthimin e 404 ha tokë pyll në Karaburun. Por, më 12 gusht 2022 Avokatura e Shtetit i kërkon gjykatës pezullimin e vendimit për çregjistrimin nga regjistrat hipotekarë për pronën e tjetërsuar në Karaburun.

Avokatura e Shtetit argumenton se, “jemi para ekzistencës së rrezikut, që mund t`iu shkaktojë një dëm të rëndë dhe të pazëvendësueshëm interesave shtetërorë, nisur nga fakti se Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Vlorë ka njoftuar Avokaturën e Shtetit për regjistrimin e pronës në favor të familjes Bodo. Avokatura e Shtetit pretendon se kjo pronë do të tjetërsohet dhe për këtë arsye duhet vendosur pezullimi i regjistrimit të saj në Hipotekën e Vlorës”.

Kërkesa e Avokaturës së Shtetit është rrëzuar nga Kolegji i Gjykatës së Lartë.

Në vendimin e arsyetuar thuhet se, “Avokatura e Shtetit nuk ka paraqitur asnjë shkak apo argument konkret, të bazuar në prova, se ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte pasoja të riparueshme” për pronën, që vetëm pas 28 vitesh familja Bodo mund të këtë një vendim gjykate, që i njeh të drejtën e pronësisë.

Pronat e familjes Bodo janë regjistruar në kadastrat shtetërore, edhe pse dy kompanitë kryesore, që e kanë përfituar tokën nëpërmjet transaksioneve, e kanë dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Koha e shqyrtimit të këtij rekursi ende nuk dihet, pasi kjo gjykatë po shqyrton ende çështjet e dërguara në vitin 2017. Rekursi i kompanive Digitalnetworks dhe House of Arts është depozituar në korrik të vitit 2022.

Duket se beteja juridike për familjen Bodo ende nuk ka përfunduar, por të paktën tashmë njihen si pronarë legjitimë. Një copë letër, që Malo Bodos iu desh të luftojë për më shumë se 30 vjet.

Një certifikatë pronësie, që Malo Bodo nuk mundi të shihte, sa qe gjallë. Ai ndërroi jetë më 24 nëntor 2021, 3 muaj përpara se Gjykata e Apelit të Vlorës të vendoste drejtësinë për familjen e tij.

“Im atë për vite të tëra luftoi në gjykatë për të drejtën e pronës së të parëve të tij dhe u largua nga kjo jetë, pa ditur se ia doli që të vendoste drejtësi për familjen e tij. Ky është pengu i jetës sime. Beteja e tij nuk vuri vetëm drejtësinë në vend, por na dha forcë edhe neve, pasardhësve të tij, dhe mos të harrojmë se kishim përballë, jo vetëm një sistem drejtësie, por një grup njerëzish, që ia kishin dalë, që të ndërtonin një makineri të tjetërsimit të pronave në jug të Shqipërisë”, – thotë vajza e tij, Vjosa Bodo. / INA 

Momenti kur digjen 2.6 miliardë euro kokainë- Pjesë e grupit një shqiptar

Mediat gjermane kanë publikuar pamje që tregojnë momentet kur digjen plot 35.5 ton kokainë.

Sipas BILD, kjo kokainë kishte një vlerë tregu prej 2.6 miliardë eurosh.

Droga u dërgua në një incenerator nën masa të rrepta sigurie.

Sasia rekord e kokainës u kap gjatë një aksioni të policisë së disa vendeve evropiane.

Shtatë persona u arrestuan, mes tyre edhe një shqiptar. Mendohet se lider i grupit ishte një turk.

Kokaina mendohet se ishte nisur nga Ekuadori. Në këtë shtet u kapën tre ton kokainë. Në Roterdam u kapën 8 ton dhe pjesa tjetër prej 25 ton u kap në Hamburg.

Para disa ditësh, media gjermane BILD raportoi se mafia shqiptare po përmbyt rrugët e Gjermanisë me kokainë.sn


Send this to a friend