Ishte i panevojshëm ngulmimi i Kryeministrit Rama për të folur prapë për “Ballkan i Hapur” në Berlin në Konferencën e Shtypit me Kancelarin Scholz. Kur dihet se ashtu si Brukseli, edhe Berlini, për të mos shkuar më tej, i kanë thënë me kohë “ JO” kësaj nisme që mbi 2 vjet pas lançimit të saj ka mbetur gjysmake në kuptimin më të plotë të fjalës. Akoma më e çuditshme është kur ai nuk e pranon, nuk e sheh apo më mirë të themi nuk do ta kuptojë këtë “Jo”, me justifikimin se Kancelari Scholz nuk e shprehu hapur kundërshtimin e tij! Mirëpo, kush ka njohuri dhe ka punuar në këtë fushë, e di mirë se në diplomaci asnjëherë nuk thuhet shqeto “JO”. Kjo e fundit shprehet ngadalë dhe me gjuhë diplomatike, me “pambuk”; deri në atë pike sa të mos përmendet as si term dhe kur dikush “këmbëngul si mushka”. Pikërisht kjo ndodhi gjatë asaj Konference për Shtyp, kur dhe pas insistimit të gazetarëve, Kancelari gjerman e anashkaloi me elegancën e tij karakteristike, duke mos e përmendur fare “ Ballkan i Hapur”.
Në fakt, nuk ka asgjë për t’u habitur me këtë qëndrim politik gjerman, i cili është i përsëritur. Tetorin e kaluar, gjatë vizitës së saj në Tiranë, edhe Kancelarja Merkel iu shmang kësaj teme “me lezet”, duke iu referuar vetëm Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal. Përpara saj, zyrtarë të lartë në MPJ-në gjermane e kishin shprehur hapur kundërshtimin e tyre për “Ballkani i Hapur”, si nismë jo gjithëpërfshirëse dhe e përkohshme. Shënojmë se në 5 vitet e fundit Scholz ka qenë zv.Kancelar. Ndaj ai nuk kishte përse të ndryshonte qëndrimin e mëparshëm, ca më tepër kur “ Ballkani i Hapur” nuk ka dhënë asgjë të re të qenësishme.
Natyrshëm lind pyetja: Po përse, xhanëm, “Ballkani i Hapur” nuk po “ngjit” dot në Berlin, Bruksel dhe gjetkë? Mbi bazën e përvojës si diplomat në këto dy metropole të mëdha Euro-Atlantike në 25 vitet e fundit dhe kontakteve më të fundit me rrethet diplomatike atje, më poshtë po përmend tri shkaqet kryesore të dështimit diplomatik të “ Ballkan i Hapur”.
Së pari dhe më kryesori, narrativa e gabuar mbi këtë nisëm që lindi fillimisht si vazhdim dhe konkretizim i Procesit të Berlinit; ca më keq akoma, më vonë u kalua në rezerva dhe kritika të hapura ndaj saj, a thua se nuk kemi plot kanale zyrtare komunikimi, për të meta dhe mangësi; madje vitin e kaluar Kryeministri Rama sugjeroi kalimin e saj në “ inventarin” e Brukselit, ndërsa më 11 Prill në Berlin deklaroi se ajo nuk ka ecur, mbasi e ka penguar burokracia e Brukselit, dhe për fajin e vetë vendeve të rajonit! Këto dhe të tjera qëndrime kundrathënëse jo vetëm nuk krijuan dot bindje dhe besim, por e shtuan dhe më tepër skepticizmin për këtë nisëm!
Por, kryesorja, ta themi troç, nuk shkon fare që në Berlin, në takimin e parë të njohjes me Kancelarin e ri të kritikosh Procesin me të njëjtin emër të iniciuar më 2014 nga ish Kancelarja Merkel; e ca më keq ta quash atë dështim, dhe se demek “Ballkani i Hapur” do ta korrigjojë, plotësojë madje dhe zëvendësojë atë!!
Nuk ka njeri në Berlin ta përtypë këtë fakt. Me të drejtë Procesi historik i Berlinit atje konsiderohet si arritje, sukses dhe tregues konkret i vëmendjes dhe ndihmesës gjermane për rajonin! Veç kësaj, imagjinoni ndjesinë e pakëndshme në Gjermani por dhe në 9 vende të tjera pjestare me peshë kontribuese në këtë Proces, si Franca, Britania e Madhe, Italia, Austria, Polonia, etj kur u thuhet se kanë dështuar me Berlinin; e pastaj, na dalin tri vende, demek “ pararojë” në Ballkan, me një katalog shpërthyes problematikash për “ të vënë në vend nderin e tij”! Kur dhe tani mbas mbi dy vitesh ato nuk kanë arritur të bindin gjysmën tjetër të rajonit për vlerat dhe dobinë e “ Ballkan i Hapur”! Kur dy prej tyre ende nuk kanë çelur negociatat e antarësimit, ndërsa nismëtarja, Serbia ka një “ mal” problemesh me vendet e këtij rajoni e sidomos Kosovën! Pra janë tri vende, të cilat, në vend të punojnë nga brenda, kërkojnë të hapin gjysëm nismën e tyre me imponim nga jashtë, duke kërkuar mbështetjen e atyre që demek kanë dështuar me Procesin e Berlinit dhe në radhë të parë Gjermanisë!! Kësaj i thonë të bëhet “ bishti më i rëndë se sqepari” ! Mbi të gjitha, “Ballkani i Hapur” jo vetëm nuk ka qetësuar ujrat e turbullta mes tyre, por i ka shtuar dhe më shumë sherret me grindjet edhe “ mes vedi”!
Për të qenë të sinqertë, nuk e mohon njeri se Procesi i Berlinit ka patur të meta dhe mangësi, ku fajin kryesor e kanë vetë vendet e rajonit; por të jemi objektivë e të mos harrojmë se gjatë 8 viteve të tij Gjermania dhe BE-ja kanë kaluar shumë kriza dhe konflikte me emra drithërues, të paimagjinuara më parë – terrorizmi ndërkombëtar, azili masiv që goditi më rëndë Gjermaninë, e cila më 2015 pranoi një million refugjatë, konfliktet në vendet arabe dhe së fundi COVID – 19, të cilat kanë mbajtur të angazhuar në të gjitha drejtimet, në radhë të parë Berlinin e pastaj të gjitha metropolet e tjera Euro-Atlantike, për të ardhur te agresioni rus në Ukrainë.
Ja pse, ndryshe nga Rama, Kancelari Scholz foli për rëndësinë e Procesit të Berlinit, duke shprehur angazhimin personal për rigjallërimin e tij ( Belebung)
Së dyti, Kancelari Scholz nuk ka si të thotë “Po” për “ Ballkan i Hapur” mbasi ai nuk njihet nga BE-ja, dmth as nga Këshilli, as nga Parlamenti, madje as nga Komisioni Europian!! Pavarësisht nga tam tamet propagandistike, me përjashtim të ndonjë zyrtari europian që gjithsesi janë individuale dhe pa vlerë, apo dhe të ndonjë shteti antar, “Ballkani i Hapur” nuk figuron fare as si term në fjalorin dhe axhendëne tyre zyrtare!
JO-ja e butë europiane ndaj “ Ballkan i Hapur “ u shpreh një vit pas lançimit të tij në Samitin e datës 9 Nëntor 2020 në Sofje, në kuadrin e Procesit të Berlinit, nën kryesimin Bullgaro/Maqedonas. Mini-Schengeni i atëhershëm, megjithë lobimin nuk u përmend fare në Përfundimet e atij Samiti. Përkundrazi, në Pikën 11 dhe 12 shkruhet shprehimisht se « liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perendimor u dakordësuan lidhur me krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, si gur themeli i bashkëpunimit ekonomik dhe miratuan Planin e Veprimit 2021 – 2029 që bazohet në 4 liritë themelore të BE-së. … Po ashtu, të gjashtë liderët ballkanikë miratuan Planin e Veprimit Shumëvjeçar për Zonën Ekonomike Rajonale. «
Në vijim, Tregu i Përbashkët Rajonal ( Western Balkans Common Regional Market) përmendet në paragrafët 10 dhe 11 dhe të Deklaratës së Samitit të Brdos më 6 Tetor 2021 nën Presidencën sllovene të BE-së. Sërish, pa “Ballkan i Hapur”!
Dhe, nëse këto dy samite ishin informale, JO-ja e BE-së u rikonfimua në Deklaratën zyrtare përfundimtare të Takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së më 14 Dhjetor 2021 në Bruksel. Asnjë fjalë nuk gjen aty për Ballkanin e Hapur. Përkundrazi, në Paragrafin 10, Këshilli nënvizon se « fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë elementë thelbësorë të zgjerimit europian dhe stabilizimit në rajon mbi bazën e rregullave dhe normave të BE-së. Këshilli mirëpret përparimin e bërë dhe riafirmon rëndësinë e Tregut të Pëbashkët Rajonal për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nismat e tjera gjithëpërfshirëse. « Çdo koment është i tepërt.
Më tej, në të tre këto samite, BE-ja e ka bërë të qartë se ajo mbështet dhe bashkëfinancon Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal ( RCC) me qendër në Sarajevë, i cili aktualisht drejtohet nga politikanja shqiptare, Majlinda Bregu. Po ashtu nënvizohet roli përcaktues i CEFTA, e krijuar në vitin 1992, e cila ka kontribuar ndjeshëm në antarësimin e 8 vendeve ish – lindore në BE, ku janë dhe të 6 vendet tona.
BE-ja e gjeti dhe zyrtarizoi me finesën e saj të njohur diplomatike alternativën tjetër ndaj « Ballkan i Hapur » mbasi, veç problematikave të shumta dhe « të nxehta », u pa qartë se ai lindi dhe si karshillëk ndaj saj, fill pas JO -së për hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin në Tetor 2019. Ndryshe nga « Ballkan i Hapur » që lindi dhe mbeti gjysmak, BE-ja ofroi dhe siguroi nga të gjashtë vendet e rajonit tonë mbështetjen për nismën e saj gjeo-strategjike të pagëzuar si « Tregu i Përbashkët Rajonal »
Nisur nga sa sipër, megjithë qëllimet e shpallura dobiprurëse dhe të ngjashme, « Ballkani i Hapur » praktikisht është bërë sfidë dhe mbivendosje e panevojshme e Procesit të Berlinit dhe produktit të tij bazë, Tregut të Përbashkët Rajonal; mirëpo, ndryshe nga të dy këta të fundit, « Ballkani i Hapur » nuk e ka besueshmërinë dhe konsensusin e nevojshëm, si brenda dhe jashtë tij dhe vështirë, për të mos thënë e pamundur ta sigurojë atë në të ardhmen, siç shpresohet me naivitet në Tiranë, Beograd dhe Shkup. Në dukje kjo mund të duket gjë e thjeshtë, mjafton bie fjala që në një deklaratë të ardhëshme të BE-së të paktën të shtohet « Ballkani i Hapur » qoftë dhe me një frazë apo fjali.
Mirëpo, sipas rregullave të funksionimit të BE-së kjo është e vështirë për t’u bërë, përderisa në dokumentet e saj zyrtare është vulosur tashmë me kohë « Tregu i Përbashkët Rajonal ». Kush ka punuar në diplomaci e di mirë se sa e vështirë është, për të mos thënë e pamundur të heqësh, të shtosh apo të bësh ndonjë ndryshim në një dokument zyrtar në grupime shumëpalëshe, në rastin tonë në BE me 27 vende antare, ku secili ka të drejtën e vetos! Ndaj ka shumë rëndësi kujdesi dhe këmbëngulja diplomatike për të përfshirë në dokumente të kësaj natyre mendimin dhe versionin tënd, çka nuk është arritur të bëhet në rasin e « Ballkan i Hapur », për shkaqet e lartpërmendura. Dhe tani, kujtohemi « pas pilafit »
Veç kësaj, brenda BE-së ka jo pak vende që janë kundër « Balkanit të Hapur », duke e vështirësuar dhe më shumë këtë proces dhe konsensus. Për pasojë, as SHBA-të nuk mund të dalin të vetme në mbështetje të kësaj nisme; ndaj ajo e ka bërë të qartë qëndrimin e vet, duke kërkuar si parakusht gjithëpërfshirjen. Mbështetjen e mundshme amerikane, Kryeministri Rama e pohoi dhe pas takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken më 15 Shkurt në Uashington; madje, duke paralajmëruar se do të ketë zhvillime të reja, por zyrtarisht asgjë nuk ka dalë dhe nuk ka si të dalë në dritë në këtë drejtim. Sepse problemi është nga brenda dhe jo nga jashtë!
Përfundimisht, kjo nismë gjysmake mund të vijojë dhe kështu si forum tripalësh, por pa lobime e propagandë të mëtejshme boshe, sepse » zamka e Ballkan i Hapur nuk po ngjit më » askund. Meqenëse dhe objektivat janë të njëjta, gjëja më e mirë do të ishte shkrirja e natyrshme e tij nëpërmjet instrumentave diplomatikë te « Tregu i Përbashkët Rajonal » i Ballkanit Perendimor, si « pasardhësi » më bindës, efektiv dhe i sigurt i Procesit të Berlinit.
Komentet