Përtej dritares të një studioje.
Studioja në katin e parë, mund të ndodhej, në katin e tretë, të pestë apo, në katin e njëmbëdhjetë, ngado kishte një artist. Por jo të gjithë, do të kishin të njëjtin fat si ai. Gjergji. I cili pikturonte tablo të guximshme, me rryma të frikshme për kohën. Jo vetëm aq, po aty hynte e dilte Eva Kondi, në dashuri me piktorin. Dy fatkeqësi të mëdha për shtetin e diktaturës, dy mëkate njerëzore të lidhura me njëra-tjetrën, dashuria dhe arti.
Studioja në katin e parë, me absurdin e të vërtetës së kohëve, e treguar mjeshtërisht nga Fatmira Aliaj. E cila pas disa dramave për fëmijë e të rritur, ka në begraundin e saj tre romane, njëri më i bukur se tjetri, të lartësuar në kohë. Romani i parë, “Shpirti i humbur”, mbi temën aq aktuale dhe të dhimbshme të dhunës kundër gruas, e nisur nga shekujt me bëmat patriakale të huazuara prej dogmave pushtuese. Nusja nuk u gjend e virgjër dhe duhej varrosur e gjallë… Në kohët moderne, një vrasje, një humbje pa gjurmë, që nuk do të gjendet kurrë…
Romani i dytë, “Dyzet letra Dashurie”, një prelud dashurie i shkruar në kohët e izolimit total prej kolerës Covid. Vëtëm një shpirt i bukur, mund të kompozoj të tilla mardhënie delikate, në kohë të vështira, kur dashurive nuk mund tu jepej as lamtumira.
Mbresat dhe shija e mirë, lënë nga leximi i këtyre dy librave, më bëri të nisja me ëndje leximin e romanit të fundit, “Studioja në katin e parë”. Temë e njohur për brezin tim, jetuar në diktaurë, dhe midis dy sistemeve. Gjatë leximit, tepër tërheqës, më erdhën në mendje miqtë e miket e mia. Taso, Lumja, Krisanthi, Arbeni, Skënderi, e më tej të përvuajturit në burgjet e tyre të egra, piktorët Edison Gjergo, Ali Oseku, Maks Velo e të tjerë viktima të sistemit të arteve pamore. Nuk mund të numërohen të gjithë artistë, me kalvaret e mundimshme bashkë me dashuritë e tyre. Janaq Paçon, skulptorin që ringjalli Skëndërbeun, i cili, theu nudot e bukura femërore, me duart e tij, urdhëruar nga mashat e diktaturës. Njw vrasje barbare e shpirtit tw artistwve.
Të kallin tmerrin bëmat e socializmit, sistem i cili të çonte në tirani. Rruga që ndoqën në të ashtuquajturin socializëm ishte rruga për në rrobëri.
Sipas Volterit, “disa shkrimtarë e identifikojnë shoqërinë me shtetin, në të tillë mënyrë, saqë nuk të lënë vend për dallim mes tyre, ndërkohë që këto jo vetëm dallohen, por kanë rrënjë të ndryshme. Shoqëria krijohet mbi bazën e dëshirave tona, kurse qëveritë kanë për bazë pamoralitetin; shoqëritë krijojnë mundësi për jetë të lumtur, duke u marrë me bashkimin e ndjenjave tona, kurse qeveritë ndikojnë negativisht mbi lirinë, këto i konservojnë të metat. Të parat stimulojnë bashkëveprimet, të dytat krijojnë dhe thellojnë ndryshimet. Të parat janë mbrojtëse, të dytat xhelate.”
Por jo gjithmonë ndodh kështu, shpesh dhe një pjesë e shoqërisë së inkriminuar, vasale e pushtetit, i shërben atij për të mbijetuar aq gjatë, ashtu si në vendin tonë. Vegla që pushteti i favorizonte duke i mbajtur nën kontroll të rreptë.
“Kryeredaktori e sqaroi, se në artikull ishte trajtuar lindja e rymave moderniste në artin figurativ, evoluimi i tyre, çfar i sollën pikturës botërore etj., po nuk flitej për anën negative të këtij lloj arti, ç’të meta ka, si e deformon artin e vërtetë dhe me ç’forma duhet luftuar për të mosprekur mendjen e studentëve, sidomos të atyre që studiojnë në këtë degë. Pasi u prish fantazinë shijet, të cilat u edukuan dhe u zhvilluan me aq kujdes nëpër programet e shkollave socialiste, në luftë kundër çdo ndikimi apo ryme moderniste dekadente të botës perëndimore.”
Këndvështrimin e saj, si bashkëudhëtare e kohës, autorja e jep përmes personazheve, ku në qendër është Gjergji, piktori i cili akuzohej e përndiqej nga sistemi si një artist i rrezikshëm, akuzohej edhe për paraqitjen e tij jo të zakonshme.
“Ktheu kokën mbrapa: “Nuk ka njeri. Pra, nuk po më ndjekin. Pse duhet të më ndjekin, xhanëm? Unë s’ka bërë gjë, për një palë mustaqe? – tha me vete dhe kaloi njërën dorë mbi to. – S’kam për t’i hequr, o nëndrejtor pyka!”
“E ëma nuk e kishte parë ndonjëherë në atë gjendje. E pyeti e lemerisur, se çfarë i kishte ndodhur, por ai nuk ishte në gjendje t’i shpjegonte…….
Kushedi kur e zuri gjumi. Të nesërmen, kur e ëma rregulloi krevatin, pa këllëfin e jastëkut të lagur. “Ka qarë, – mendoi” …
Të jetosh i përndjekur, me hije që të ndjekin pas gjithmonë, për flokët, mustaqet, fustanet, dashurinë dhe gjithçka, është torturë psikologjike. Monologu i brendshëm e shoqëron shpesh pikltorin. Filozofia e tij me mendësinë e sistemit, nuk taoheshin gjëkundi.
Studioja në katin e parë, përveçse e përgjuar, është një dramë e dhimbëshme, e cila rrjedh si një poemë; për lirinë, dashurinë, dhe humbjet. Të sjella me art, si në tablotë e bukura të piktorëve të kohës, të quajtur dekadentë… Mes shijes së lumturisë e bukurisë, me kthesat tragjike që sjell jeta, duke lënë pas dhimbje e gjurmë të thella në ndërgjegjen njerëzore. Gjendja e brendëshme psikologjike e njeriut, e lënduar nën presionet e vazhdueshme të mendësive anakronike të sistemit dhe përshtatja sipas kërkesave të kohës, është tepër e vështirë për një artist. Sjellë nga Fatmira Aliaj, me një mënyrë të spikatur krijimi.
“Gjergji u drodh dhe ndjeu një keqardhje të papërcaktuar. Përshkoi me sy tërë trupin e vajzës, për të gjetur diçka të sajën ende të papushtuar, sytë i mbetën te gjiri i majtë, që, si duket, i kishte shpëtuar jashtë procesit të “murosjes” si në legjendën e Rozafës me një ndryshin se murosja bëhej nën trupin e djalit. Ngjyra e bardhë prej mermeri dhe forma e ngritur, pak vezake e gjoksit, i nxitën dëshirën për ta prekur…”
Të shkuarën e largët të ngërthyer nëpër rreshta, gjen edhe të tashmen për dashurinë, humbjet dhe vdekjen. Në ëndrra, shfaqen gjithmonë me dëshirën për të qenë vetvetja. Megjithëse, gjithçka rreth tyre ishte e survejuar. Gruaja e dritares në pallatin përballë përgjonte pareshtur.
– “Mirmëngjesi! – u dëgjua një zë vajze
– -Mirmëngjesi!
– -Eva Kondi jeni?:
– Po, unë jam. Më kë flas!
– -Më vjen keq, që duhet të ta them unë, po është për të mirën tënde. Mbrëmë, Viola ka qenë në studion e Gjergjit, për të parë gjoja disa skica, kanë bërë dashuri bashkë, madje ajo ka fjetur atje. Hiq dorë prej tij, sa pa u bërë bolori, pasi të ardhmen ai e ka me Violën, jo me një grua që ka qenë e martuar dhe me një fëmijë.
Eva ngriu në këmbë, nuk arrriti të thoshte asnjë fjalë, sepse telefoni në anën tjetër ishte mbyllur.”
Janë ndjenjat njerëzore, të një ëndrre ledhatare për të parë më tej të ardhmen e cila po shuhej brenda saj. Ajo e adhuronte Gjergjin, po aq shumë edhe ai!
Realiteti në romanin,“Studioja në katin e parë”, pasqyrohet me vërtetësi të frikshme, duke depërtuar thellë mbi natyrën njerëzore. Romani i zonjës Aliaj, na tregon një të vërtetë; se natyra njerëzore, ka ndryshuar pak ose aspak gjatë epokave. Cmira, zilia, kundrejt të mirës, apo shërbimi ndaj të keqes, i tjetërsuan disa syresh, duke i kthyer në kandra.
Shkrimtarja i mëshon fort, mendësisë positive mbi të bukurën dhe dashurinë. Pavarësisht luftrave dhe sistemeve të egra, njeriu normal, vazhdonte të ëndëronte, të dashuroronte, të kërkonte lumturinë. E cila do nëpërkëmbej frikshëm prej diktaturës.
“Djali dhe vajza qëndruan të përqafuar fort, ashtu pa lëvizur, duke krijuar figurën e një “statuje – symbol” dashurie. “Statuja filloi të lëviste vetëm në atë çast, që ndjeu lagështinë e tokës ti depërtonte nëpër trup. Djali u shkëput, hoqi xhaketën dhe ja shtroi nën të vajzës, vetë u ul në gjunjë u shkëput pak deri në gjatësinë e saj dhe, pa e prekur me dorë, filloi t’i puthte flokët, ballin, sytë, kryet.
-O Zot, si mund të zhvlerësohet kjo ndjenjë, deri në atë pikë sa të quhet mëkat! – tha gati më zë Gjergji dhe zgjati trupin drejt, si për t’i hedhur, brenda në ujë mendimet dëshpëruese, gjendjen që po e gllabëronte.”
Fatmira, nuk bën krahasime midis të tashmes dhe të shkuarës. Mbingarkesa e kujtesës që ajo ka si njohëse e mirë e asaj kohe, e përshkruar me mjeshtërinë e së vërteës, shkruar me art. Pikëllimi, hidhërimi, treguar me elegance tragjike, pervalon ligjerimin e saj.
– “Në ekspozitë, ai ka sjellë më të zgjedhurat, i ka seleksionuar, megjithatë edhe këtu ka prej tyre me devijime ideologjike……….
– ja shiko këtë pikturën “Vrasja e Bajlozit”! -iu drejtua ai kolegut. – Njyrat e forta dhe kombinimi i tyre nuk përfaqëson me besnikëri legjendën, por krijojnë një përfytyrim modern., që nuk ka lidhje me kohën kur zhvillohet ngjarja. Bajlozi kur u qëllua, nxirrte gjak të zi, në pikturë dominon ngjyra e kuqe e gjakut. Nuk e ka vënë rastësisht. Për diçka aludon……”
Gjithçka e kaluar në sitën e hollë të “Pallatit të Ëndrave”, ku interpretimet e abu qerimëve, e mark kalemëve, ishin sa qesharake aq edhe ugurzeza.
“Në prag u dukën dy punonjës të Ministrisë së Brendshme të shoqëruar nga drejtori i galerisë. Ky i fundit i tha pastrueses t’i mbyllte të tëra ambientet e hapura të galerisë dhe të largohej……”
Përjetimet e bëmave të kohës gjysmë shekullore, mbi lirinë, artin, dhe dashurinë, mpleksur me fatet tragjike që sjell jeta në kohën e diktaturave. Treguar me një forcë të jahtzakonshme në çastet e saj të zymta. Ku me një vërtetësi të frikshme rrëfen natyrat e ndryshme njerëzore, me mbingarkesën e kujtesës.
“Gjergjin nuk e mbajtën gjatë në paraburgim. I bënë një gjyq shëmbullor. Njërin prej dëshmitarëve që doli kundër tij, nuk e njihte, nuk e kishte parë asnjëherë, ndërsa miku i tij, Arbeni, ishte bërë bashkëpunëtor i sigurimit. Viola kishte firmosur një dekleratë për pikpamjet dhe moralin e tij, por nuk doli në gjyq. Pedagogët, studentët e Institutit të Arteve, edhe të universiteteve të tjera, si dhe intelektualë nga sektorë të ndryshëm të kulturës, i detyruan të shkonin në gjyq, sepse dënimi i Gjergjit shërbente për të gjithë ata që do të guxonin të dilnin kunder vijës së partisë dhe interesave të atdheut.”
Eva nuk dëshmoi, ajo iu nënshtrua dhunës së egër psikologjike dhe fizike, por nuk pranoi asgjë nga letrat plot akuza përgatitur prej tyre. Evën nuk e mposhtën shantazhet e frikshme me gjarpërinjtë që depërtonin në trupin e brishtë. Rezultati ishte kaosi që mbërtheu jetën e saj dhe shumë bashkëkohësve.
Diktatura të shuan megjithsej rreth teje. Problemi është të mbijetosh, edhe pas humbjes së diçaje të çmuar. Në tavalozët e tij, ajo shihte përherë botën e shëndruar në një kaos e cila mbeti e tillë përgjithmonë.
Çdo ditë në një formë apo në një tjetër, humbasim ëndrrat, njerëzit e dashur, kohën, e mpakur të jetës. Duke vrapuar pas të nesërmes për të kapur lumturinë, çelsin e së cilës na e kanë vjedhur. Shërbëtorët e socializmit, janë ç’njerëzor dhe përdhunues. Ku dhimbjet shpirtërore janë më të rënda se ato trupore. Evës, i kujtohet ajo ditë tmerri, në pamundësisë për të fituar mbi të keqen. Kaosi që mbërthen kohën dhe jetën e njeriut, në veçnti të atyre që premtojnë për një botë më të mirë.
“Herë pas here e shikoja në ëndërr, bëja dialog për problemet që më shqetësonin dhe ashtu si tek grafikat e Holbein, ku vdekja vallëzon me të gjallët, edhe vallëzoja me të. …..”
Në studion e katit të parë, gjen dhimbjen, dashurinë, humbjet dhe vdekjen. Këndvështrimi i shkrimtares, si bashkëudhëtare e dy kohëve, ndërton ura lidhëse qëmtuese e shpirtërore të njerëzimit.
“Vura unazën në gisht dhe hapa letrën ta lexoja: “Evës, diellit tim, që më dha dritë në errësirën më vrastare”.
Fatmira Aliaj, ka ritmin dhe formën e saj të tregimit të ngjarjeve, po aq tërheqëse sa vetë forca krijuese. Në këtë botë, gjithçka është thënë, edhe për diktaturat, e rëndësishme është se, si e thua… në kohën kur ndizet drita e inteligjencës. Indinjata e saj ndaj sistemit është një denoncim. Njerëzit, bashkë me pluhurin e rrugës, mbajnë mbi supe dhe pluhurin e kujtesës, kjo i shqetëson shkrimtarët, sepse e shkuara e harruar përsëritet si qerthur, në një formë apo në një tjetër. Për Evën, dashuria, është një forcë e jashtzakonshme në çastet e saj të zymta.
“Kanë kaluar vite dhe unë ende mbaj atë unazë në gisht, si dëshmi e një dashurie të madhe, që lindi dhe mbijetoi në kohën e diktaturës më të egër.”
Një prozë realiste me elemente modernizmi. Me një fund makabër shekspirian. Treguar nga shkrimtarja, me një origjinalitet të veçantë dhe karakter psikologjik, Megjithëse kanë kaluar shumë vite, në vetvete mbart një jehonë pikëllimi, pasi përfytyrimi i saj për botën pati qenë krejt ndryshe. Është studioja në katin e parë, muret e së cilës, flasin të vërtetën…

Nadire BUZO





Komentet