Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës si dhe njëri prej anëtarëve të Ekipit Hartues të Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, tha se Kushtetuta e Kosovës e ka arritur misionin e saj historik, shtetndërtimin dhe pavarësinë.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Bajrami vlerësoi procesin e hartimit të kushtetutës së Kosovës, në përvjetorin e ratifikimit të saj.
Përpjekja e Kosovës për të pasur Kushtetutën e saj, ka filluar që kur ajo ishte autonomi në ish-Jugosllavi, tregon Bajrami duke theksuar se megjithatë, baza e Kushtetutës aktuale të Kosovës ka filluar të shkruhet në vitin 2005, kur është formuar një Grup Uniteti nga ish-presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova dhe kanë filluar përgatitjet për pavarësinë e Kosovës.
Profesori Bajrami tregon se pas luftës, para Kushtetutës aktuale në fuqi, Kosova ishte qeverisur me një Kornizë Kushtetuese e bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) të ratifikuar më 2001, e cila ka qenë në fuqi deri në pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt 2008.
“Historia Kushtetuese e Kosovës fillon në vitin 1969 kur sa ka qenë Kosova Autonomi në ish-Jugosllavi ka pasur Ligjin Kushtetues, në vitin 1974 Kushtetutën dhe kur u shpërbë Jugosllavia më 7 shtator 1990 ka nxjerrë Kushtetutën e Kaçanikut. Kurse pas luftës, pas rezolutës 1244 në vitin 2001 kemi nxjerrë kornizën kushtetuese për vetëqeverisje të përkohshme me të cilin dokument janë themeluar institucionet e përkohshme për vetëqeverisje dhe kjo ka qenë në fuqi deri sa është arritur shpallja e koordinuar e pavarësisë. Pra te Kosova kemi të bëjmë me modelin e pavarësisë së koordinuar pra jo me modelin e pavarësisë së njëanshme siç mendon Serbia”, thotë Bajrami.
– “Kushtetutë liberale dhe demokrate”
Siç thotë ai, kjo kushtetutë është liberale dhe demokrate, që ndërthur të drejtat e njeriut e respektimin e pakicave me parimin e “diskriminimit pozitiv”.
Modeli i Kushtetutës së Kosovës, Bajrami thotë se është imituar nga ai i Amerikës që flet për sovranitetin. Por, kanë marrë si model edhe Kushtetutën e Kroacisë, Sllovenisë si dhe Marrëveshjen e Ohrit, duke i përshtatur të gjitha për Kosovën.
“Kemi krijuar një dokument të mirë të një shteti liberal i cili është kampion sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut e në veçanti të drejtave të pakicave ku kemi pranuar të ashtuquajturin parim të diskriminimit pozitiv, ku pakicat, në radhë të parë pakica serbe, ka të drejtat e avancuara, një qasje afirmative në të gjitha nivelet e pushtetit filluar nga komunat e deri te pushteti qendror”, tregon Bajrami.
Kushtetuta e Kosovës parasheh që në Kuvendin e Kosovës, në 120 ulëse gjithsej, 20 janë të rezervuara për minoritetet e vendit, 10 për pakicën serbe dhe 10 të tjera për pakicat tjera.
Për këtë pjesë të Kushtetutës, Bajrami thotë se ka qenë eksperti kryesor ligjor në negociatat me ekipin e Martti Ahtisarit, ku ka udhëhequr në procesin e Vjenës e në atë të Rambujesë.
Megjithatë, Bajrami thotë se këto vende të rezervuara janë keqpërdorur nga pakica serbe, duke bllokuar procese të ndryshme të Kosovës, ku përmend së fundmi dështimin e themelimit të ushtrisë nëpërmjet ndërrimit të Kushtetutës.
“Nëse arrihet një marrëveshje eventuale tash në vitin 2019 me Serbinë, një marrëveshje paqësore, duhet të gjejmë një mekanizëm që të mënjanojmë këtë bllokadën serbe, sepse ata janë një dorë e zgjatur e Qeverisë së Beogradit dhe ata mbajnë peng çdo vendim të ndërrimit të Kushtetutës. Për shembull, ju e dini problemin e themelimit të ushtrisë, ku nuk është shkuar përmes ndërrimit të kushtetutës por është gjetur rruga B, përmes ligjit, sepse serbët bllokonin ndryshimin e Kushtetutës”, thotë Bajrami i cili falënderon komunitetet tjera joshumicë që i quan konstruktiv dhe shfrytëzues të të drejtave kushtetuese.
– Ideja “korrigjimi i kufijve” mund të ketë efekt domino
Sa i përket temës për të cilën presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, por edhe udhëheqës tjerë institucional flasin shpesh kohëve të fundit, idenë për “korrigjim të kufijve”, profesori Bajrami thotë se kjo mund të ketë efekt domino edhe në Bosnje dhe në Maqedoni por edhe shumë vende tjera që janë shoqëri shumetnike.
Ai thotë se tri vlera të Kushtetutës së Kosovës duhet të jetojnë sa të jetë shteti kosovar dhe nuk mund të ndërrohen as me referendum por as me amendamente. Sovraniteti dhe pavarësia, integriteti territorial si dhe rendi unik kushtetues.
“Mendoj që Kosova nuk duhet të pranojë (të ulet) në asnjë tavolinë ku bisedohet për ndërrim të kufijve apo korrigjim të kufijve, përkundrazi, Kosova duhet të bisedojë me Serbinë për paqe, që të arrihet një paqe e qëndrueshme. Që të zgjidhen problemet tjera që nuk nënkuptojnë territorin. Kosova ka nevojë për një njohje reciproke me Serbinë në territorin ekzistues i cili është ky territor që kemi më shumë se 50 vite. Mbi bazën e këtij territori kemi shpallur pavarësinë dhe me këtë territor kemi marrë njohje nga më shumë se 100 shtete dhe më në fund kemi konfirmimin edhe të Gjykatës Ndërkombëtare dhe Drejtësisë që pavarësia është legale dhe legjitime mbi këtë territor”, thekson Bajrami.
– “Politikanët duhet të kenë edukatë kushtetuese”
Sa i përket problemeve të brendshme të lidershipit kosovar me Kushtetutën, Bajrami thotë se edhe pse të gjithë i besojnë kushetutës, të gjithë e kanë një hise në shkeljen e saj. Ai përmend që brenda 10 vjetësh në Kosovë janë larguar dy presidentë për shkak të shkeljes së Kushtetutës, gjë që në vende tjera, thotë ai, ndodhë në 50 vjet.
Dukuri jo e mirë e lidershipit kosovar, sipas Bajramit, është pyetjet që gjithmonë liderët ja drejtojnë Gjykatës Kushtetuese për konsultim. Një gjë e tillë nuk do të duhet të ndodhte sipas tij, ngase politikanët do të duhej të kishin një edukatë kushtetuese dhe një logjikë shtetformuese pa pasur nevojë për asistencë nga Gjykata Kushtetuese.
Në hartimin e draftimit të Kushtetutës së Kosovës, Bajrami thotë se ka pasur edhe anëtarë të komuniteteve joshumicë, siç është ministri Mahir Yağcılar dhe Bajram Latifi, i kyçur kohë pas kohe në proces.
Autorë kryesorë Bajrami tregon se përpos tij, ka qenë edhe profesori Hajredin Kuçi, e ndjera Nekibe Kelmendi, Ramë Manaj dhe Iljaz Ramajli, të cilët kanë pasur edhe tre avokatë amerikane nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që kanë kontribuuar.
Kushtetuta e Kosovës ka 14 kapituj e 162 nene. Ajo thotë se “Republika e Kosovës nuk do të ketë pretendime territoriale, dhe nuk do të synoj bashkim me asnjë vend ose pjesë të një vendi”.
Komentet