VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Arbëreshi Angelo Masci në Journal de l’Empire (1808) : “Asgjë e saktë nuk është shkruar deri tani për kombin shqiptar, dhe ato pak të thëna janë si një re e dendur dhe e errët, e cila fsheh më shumë se kurrë të vërtetën.”

By | January 9, 2018

Komentet

L’Oeil de Paris (1931): Aleksandër Moisiu në telashe për shkak të realizimit të një romani sa më realist – Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Shtator 2018

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Gazeta franceze, “L’Oeil de Paris”, ka botuar, më 19 shator 1931, në faqen n°15, një ndodhi të veçantë në lidhje me aktorin e famshëm me origjinë shqiptare, Z. Aleksandër Moisiun, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë në vijim për publikun shqiptar :

 

Aktori i mirënjohur gjerman, Aleksandër Moisiu, përtej profesionit të tij, ka një pasion : ai shkruan romane. Dhe, pa dyshim, si dishepull i Z. André Thérive dhe Z. Lemonnier, ai ndjek parimet e shkollës “populiste”.

 

Meqë dëshironte të priste, për njërën nga veprat e tij, një “copë jete” mjaft autentike, ai kërkoi dhe mori nga mjeku autorizimin për të marrë pjesë në një lindje, në Maternitetin e spitalit të Shën – Gjonit, në Salzburg.

 

Thuhet se prindërit e pacientes sapo kanë paraqitur një ankesë kundër aktorit – romancier, për uzurpim të funksioneve.

 

Në fakt, Moisiu u paraqit si doktor nën emrin e Dr. Aleksandrit.

 

Romani realist ndonjëherë ju vë përpara realiteteve mizore.

 

Kreu i Akademisë së Firences: Teatrin mos e shembni, e ruajtën edhe socrealistët sovjetikë

Teatri Kombetar/ Claudio Rocca

Vendimi i qeverisë shqiptare, mbështetur përmes një ligji edhe nga Parlamenti, për shembjen e godinës 80- vjeçare të Teatrit Kombëtar ka gjetur kundërshtime të organizatave botërore për trashëgiminë kulturore, si DOCOMOMO apo Europa Nostra, por edhe të personaliteteve të arkitekturës.

Një ndër ta është edhe Claudio Rocca, drejtor i “Accademia di Belle Arti” të Firences, i cili është informuar për atë çka po ndodh në Tiranë, përmes mediave italiane. Rocca shprehet kundër shembjes së godinës së TK për të ngritur në vend të tij një godinë të re, sado moderne dhe e bukur të jetë ajo. Ai vë theksin në vlerën historike që ka godina e Teatrit, e cila u ka rezistuar të gjitha ngjarjeve të 80-vjetëshit të fundit në Shqipëri, më së shumti, vetë diktaturës komuniste, e cila e kishte me merak të fshinte gjurmët e së shkuarës.

Ai e quan të turpshëm fenomenin e fshirjes identitare të qyteteve, duke i mbushur me ndërtesa, të cilat mund t’i vendosësh kudo, si në Tiranë, ashtu edhe në Kinë. E tillë është edhe godina e re që propozohet për Teatrin Kombëtar. “Për të zëvendësuar Teatrin e Tiranës, sot është propozuar një teatër që mund të rrijë kudo, në Tiranë si në Pekin apo në ndonjë qytet amerikan.

Akademia e Firences
Akademia e Firences

E ka projektuar një grup danez Bjerke Ingels Group, “BIG”, që vetëm nga emri më bën të më përshkojnë dridhërimat që nga këmbët deri te fijet e flokëve. Shumë mirë, projekti është i bukur, funksional dhe modern, por përse duhet realizuar nëpërmjet këtij operacioni që duket se i sjell fitime vetëm realizuesit (thuhet që do të ngrihen edhe tre deri në gjashtë kulla) dhe duke shkatërruar Teatrin Kombëtar?”, shkruan Rocca.

teatri

CLAUDIO ROCCA*

Ndër njoftimet që na vijnë nëpërmjet internetit në mënyrë automatike e që na bëjnë të shkëputemi për disa minuta nga puna për të bredhur nëpër lajme të ndryshme, më erdhi edhe artikulli on-line i Stefano Giantin-it i botuar në “Il Piccolo” e Triestes, ku flitej për mbrojtje të Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Lajmi më bëri kurioz, sepse pashë se njerëzit kishin protestuar përpara Parlamentit kundër shembjes.

Nuk i di arsyet e këtij vullneti për të shembur, por shoh se teatri i projektuar nga Giulo Bertè në 1938 është arkitekturë racionaliste dhe ka motivet e veta për të ekzistuar, sikur jo për gjë tjetër, për rëndësinë e tij historike. E kanë ruajtur edhe realsocialistët me kulturë sovjetike që morën pushtetin pas Luftës së Dytë.

Në vitin 1947, njëra nga godinat e kompleksit është bërë Teatër Kombëtar dhe ka arritur deri në ditët tona, me gjithë akuzat për rrezikshmërinë që paraqitka përdorimi i materialit parafabrikat, që e quajnë “populit”, material që, në periudhën e autarkisë, fashizmi e promovonte nëpërmjet eksperimentesh të tilla, duke krijuar përzierje të çimentos me fibra druri dhe alga.

Godina ka rezistuar pra dhe, ndonëse në kushte të këqija mirëmbajtjeje, ka mbetur një arkitekturë që dëshmon një periudhë historike, që, për më tepër, nuk ka lidhje as me pushtimin italian që ka ndodhur në vitin 1939.

Por, përtej çdo leximi politik, këtu nuk bëhet fjalë për çështje nostalgjikësh, aq më pak nga ana ime, por thjesht për mbrojtjen e një koncepti të thjeshtë: shtresëzimi historik i arkitekturës.

Forca e historisë së Mesdheut qëndron, përveç të tjerash, pikërisht tek ky shtresëzim historik. Është ky që i ka bërë të mëdha arkitekturat që lidhin detin me tokat e kësaj zone.

Mjafton të udhëtosh sot në territoret e vendeve me ekonomi në zhvillim për të konstatuar se çfarë turpi po ndodh nën një heshtje absolute. Po shkatërrohen qytete të tëra, duke u zëvendësuar me arkitektura kontemporane, absolutisht anonime dhe pa asnjë karakter identitar. Për të zëvendësuar Teatrin e Tiranës, sot është propozuar një teatër që mund të rrijë kudo, në Tiranë si në Pekin apo në ndonjë qytet amerikan.

E ka projektuar një grup danez Bjerke Ingels Group, “BIG”, që vetëm nga emri më bën të më përshkojnë dridhërimat që nga këmbët deri te fijet e flokëve. Shumë mirë, projekti është i bukur, funksional dhe modern, por përse duhet realizuar nëpërmjet këtij operacioni, që duket se i sjell fitime vetëm realizuesit (thuhet që do të ngrihen edhe tre deri në gjashtë kulla) dhe duke shkatërruar Teatrin Kombëtar?

Është kjo që më shqetëson: aftësia për të shkatërruar, ky mallkimizim i kujtesës historike që ka pushtuar vende të ndryshme të botës, në garë se kush të bëjë gjëra më moderne, më inovative.

Mjafton të analizosh komplekset historike të Mesdheut tonë për të kuptuar se si, në një harmoni dhe bukuri absolute, janë ndërtuar në harkun e tre-katërqind vjetëve monumentet më madhështore, me ndërhyrjen e shumë duarve, duke respektuar paraardhësit.

Flet për të gjitha këto bazilika e Santa Maria del Fiore (Duomo e Firences) ku janë bashkuar duart e Giottos, Arnoldo di Cambios dhe Brunelleschit. Sikur vetëm njëri prej tyre t’i kishte lejuar vetes të shkatërronte paraardhësin, nuk do ta kishim atë mrekulli të arkitekturës që sot e admirojnë të gjithë.

Ruajtja e kujtesës është edhe një çështje e leximit të realitetit. Pikërisht për këtë, në nivel rikuperimi dhe restaurimi, është fondamentale të mos bësh rikuperime me gjëra false, por të përcaktohet qartë në projektin restaurues leximi korrekt i periudhave historike që pasojnë njëra-tjetrën. Kurse të propozosh shembje, veçanërisht me teknologjitë restauruese që zotërojmë sot, është krejtësisht absurde.

Arkitektët le të gjejnë një vend më të mirë për të realizuar “Fluturën” e tyre, nëse kjo duhet ngritur medoemos në Tiranë, paçka se mendoj se do të kishte qenë më e preferueshme të ishte hapur për këtë një konkurs i bukur për të gjithë arkitektët europianë. Por e dimë se sa i vështirë është pranimi i konkurrencës së ndershme nga yjet e arkitekturës, veçanërisht për yjet që janë arkitektë menaxherë të ndihmuar nga kushte speciale partneriteti.

(*Claudio Rocca, është drejtor i “Accademia di Belle Arti” të Firences; është laureuar për Arkitekturë në Fakultetin e Arkitekturës në Firence si dhe ka një laurë të dytë për Dizajn. Ka mëse njëzet vjet përvojë në fushat akademike dhe është autor i 12 librave me studime në fushën e historisë së arkitekturës, restaurimit, teknologjisë dhe dizajnit. Pasi ka mësuar për prishjen e Teatrit Kombëtar nga shtypi italian, ka shprehur shqetësimin e tij në rrethe shqiptarësh që jetojnë në Itali dhe e ka dashur të transmetojë për publikun shqiptar këtë opinion të tij, që ia ka dhënë “Panoramës”.)

Shtegtime në malësinë shqiptare, refleksione kontemplative të një albanologu – Nga Kurt Gostentschnigg

Gëzimi paraprak për ekspeditën njëjavore të financuar privatisht nga një pjesëmarrës shqiptar për në malësinë shqiptare u zbeh vetëm nga fakti se nuk mund të merrnin pjesë të gjithë kolegët dhe miqtë albanologë të parashikuar. Më në fund morën pjesë shtatë veta: katër shqiptarë, dy nga Kosova dhe dy nga Maqedonia, një gjerman, një hungarez dhe një austriak. Unë e kuptova vetëm si një udhëtim pushimi, për të cilin kisha aq shumë nevojë, pasi kisha punuar pa ndërprerje në katër vitet e fundit. Gjatë ekspeditës vura re se kolegët e mi e kuptonin gjithnjë e më shumë si një udhëtim eksplorues dhe planifikonin një botim të përbashkët mbi të, për të cilin çdo pjesëmarrës do të kontribuonte me një lloj raporti personal. Shkencërisht i papërgatitur siç kisha hyrë në këtë ekspeditë, mund të mbështetesha lidhur me hartimin e këtij raporti vetëm në detyrën, të cilën ia kisha vënë vetes në fillim të udhëtimit: së pari dokumentimi i dinamikës së grupit tonë nëpërmjet fotografive dhe filmimeve të pjesëmarrësve dhe të gjithë grupit; në fund kisha arritur numrin inflator të 796 fotografive dhe 107 filmimeve, sepse kisha fiksuar edhe dashurinë time për natyrën, peizazhet, pyjet, malet, lumenjt, pemët etj.; së dyti dokumentimi i dinamikës sime të brendshme në formë refleksionesh të ndryshme.

Ekspedita filloi në Kosovën e Jugperëndimit me nisjen nga Prizreni dhe një shtegtim të parë të mrekullueshëm në Zaplluzh, Opoje, komunë të Dragashit. Ne vazhduam nëpërmjet Junikut për në Gjakovë, Rrafsh të Dukagjinit, dhe nga atje për në Shqipëri të Veriut, ku do të vizitonim dhe shtegtonim Valbonën, Thethin dhe Kelmendin. Rrugës morëm një banjë freskuese për këmbët – disa edhe për trupin – në një lumë mali. Ndërsa mua si shtajermarkas Valbona dhe Thethi më dukeshin si alpet austriake në Tirol, Kelmendi ishte për mua si një kombinim nga Shtajermarku i Sipërm – maja të larta mali në sfond – dhe Stajermarku i Jugperëndimit – peizazh kodrinor “Toskana” me përrenj, livadhe të begata, pemë frutore dhe pyje të përzier. Dreka në Valbonë u shoqërua nga këndimi tradicional i burrave me lahutë dhe çifteli, ku nuk kuptoja gati asnjë fjalë nga përmbajtja heroike, por isha i prekur aq thellë nga efekti tepër i fuqishëm i zërave dhe instrumenteve, sa më mbusheshin sytë me lot. Në kullën e ngujimeve në Theth dëgjonim me nderim tregimet e pasardhësit të rojave të kullës, saqë guxova të filmoja vetëm në fund. Për mua Thethi është mbreti i malësisë shqiptare. Vetëm për shtegun për tek ujëvara madhështore me kanalin e tij të ngushtë ujitës, uji i rrjedhshëm gurgullues i të cilit nuk është masazh vetëm për veshët, por edhe për zemrën dhe Shpirtin, ia vlente udhëtimi. Kulmi i shtegtimit tonë ishte shtegu i pjerrët nga lugina e Valbonës nëpërmjet qafës së Valbonës për tek lugina e Thethit, i cili na dhuronte pamje frymërrëmbyese dhe emocione të paçmueshme. Brenda vetes u ngritën kujtime për Nikaj-Mertur, ku kisha festuar në dhjetor 1992 në Mserr festën e Shën Nikollës me familjen e mësuesit të nderuar Dedë Sokoli dhe kisha pasur mundësinë të përjetoja në një fshat tjetër një gjëmë/gjâmë burrash. E rikujtova ekspeditën trijavore universitare në korrik 1993 për në Pult, Shosh dhe Shalë, ku – në traditën e Johann Georg von Hahn-it – kisha mbledhur përralla dhe tregime. Shtegtimi nga Valbona për në Theth më dhuronte orët e vetme, në të cilat mund të isha në mënyrë të papenguar dhe të pavënëre, duke e humbur egon e vogël në veten e madhe, krejt tek vetvetja. Tani, nëpërmjet një alkimie të padukshme të maleve, transformimi nga hulumtuesi në poet qe i kryer.

Kulmet për mua si albanolog ishin vizitat e përmendoreve për Edith Durham-in, mbretëreshën e malësisë shqiptare, dhe për Franc Nopcsa-n, mbretin e malësisë shqiptare, në Shalë si dhe vizita e varrit të Robert Elsie-t tonë të paharrueshëm, të mbretit të albanologjisë të ditëve tona, në Theth. Përballë bukurive të natyrës bisedat tona rrotulloheshin edhe rreth rrezikimit të tyre të mundshëm nga dyndja e pritshme e turistëve. Dhënia e licencave nga ana e një qeverie të mëparshme për ndërtimin e hidrocentraleve në malësi ka tashmë si pasojë një ndërhyrje masive në natyrën e paprekur. Rruga e planifikuar me asfalt për në Theth do të përmirësojë vërtet standardin e jetesës së vendësve në mënyrë të qartë nëpërmjet infrastrukturës pasuese, por do të shkaktojë edhe turizmin masiv të dëmshëm për natyrën dhe njeriun. Lëpusha e mrekullueshme në Kelmend të shndërrohet në një “peizazh fshatrash zviceran”, me çka paraprogramohen kushte si në Tirol, në vend që të besohet më tej në turizëm individual dhe aventuresk në një natyrë relativisht të paprekur. Pas një bisede impresionuese me një burrë të moshuar në Vermosh, të cilën e kisha filmuar pothuajse krejt, para se të darkonim peshk në Koplik tek liqeni i Shkodrës, bëmë spontanisht një ekskursion të shkurtër për në Guci dhe Plavë në jugun e Malit të Zi, i cili ia vlejti vërtet.

Gjatë ekspeditës të gjithë kolegët e mi albanologë merreshin me aspekte dhe çështje historike, gjeografike, etnografike, ekonomike, politike, sociale, kulturore dhe kombëtare të zonës së vizituar, por edhe të gjitha vendbanimeve shqiptare në Ballkan. Përherë mahnitesha mbi dijen e tyre të përgjithshme dhe të hollësishme, por, meqë gjendesha në modusin e pushimeve, nuk kisha shumë qejf të merrja pjesë në këto diskutime historike dhe politike. Kolegu im gjerman dhe ai hungarez u hodhën në zjarr edhe për mua, duke iu përgjigjur pyetjeve historike dhe albanologjike të kolegëve tanë shqiptarë, të cilët natyrisht ishin kureshtarë për mendimet tona. Shqiptarët nuk e kanë zgjidhur ende çështjen e tyre kombëtare, prandaj, vetëkuptohet, kjo temë nuk i lë të qetë intelektualët e tyre. Ndërsa unë mbeta shpejt pa gojë nga madhështia e natyrës, shkova në përsiatje filozofike në brendësinë time dhe shijova të qenët bashkë me miq në mes të një flore dhe faune të papërshkrueshme. Kështu duhet të ketë qenë edhe për Edith Durham-in dhe Rose Wilder Lane-in. Unë doja ta përjetoja këtë ekspeditë nga një perspektivë e brendshme, kështu që ndodhën një shndërrim i natyrshëm nga historiani dhe albanologu tek filozofi dhe poeti si dhe një zhvendosje e ndijimit nga koka tek zemra. Shumë shpejt më rrëmbeu rrjedha e meditimit dhe u mbush dalëngadalë me pyetje parimore dhe përgjigje të habitshme.
A nuk vihemi shpesh në jetë para dilemës të shtiremi për t’iu përshtatur mainstream-it për shkak të interesit të lindur nga lufta për ekzistencë, apo të mbetemi vetvetja për hir të detyrimit ndaj vërtetësisë së brendshme? Vendimi për kërkimin e së vërtetës në kohën tonë do të thotë për individin dhe kolektivin dërrmimi midis mokrave neokapitaliste të lakmisë së pangopshme për fitim të të paktëve dhe të shfrytëzimit të pamëshirshëm të të shumtëve ose lufta donkishoteske me mullinjtë e erës të frymës së pashpirt të kohës, e cila po shitet tek neokapitalizmi dhe popullizmi i djathtë. P. sh. historianë që jetojnë vetëm me kërkimin, detyrohen t’u ofrohen politikës, ekonomisë dhe kapitalit, për të marrë një të drejtë të ekzistencës dhe financimin e domosdoshëm për ushtrimin profesional. A nuk është edhe refuzimi për të mbajtur një “gojëz” të tillë, i cili ka përzënë nga atdheu i tyre mendimtarë të lirë intelektualë, siç kanë qenë Thomas Mann, Kurt Tucholsky dhe Stefan Zweig? Pyetja e përhershme e të qenit njeri i papërsosur është: a dua unë si krijesë e natyrshme dhe e vdekshme vetëm të mbijetoj sa më gjatë në ndarjen vdekjeprurëse në kurriz të gjallesave të tjera – njerëzve, kafshëve, bimeve –, apo dua unë si Shpirt i mishëruar të zbuloj veten time të pavdekshme dhe të jetoj në unitetin shpëtues dhe vetërealizues?

Kjo nuk vlen vetëm për individin, personin, por edhe për kolektivin, popullin, etninë, kombin ose sido që ta emërtojmë dhe përcaktojmë, meqë të dy kanë një thelb të brendshëm të qëndrueshëm, i cili shprehet nëpërmjet formave fenomenale kalimtare. Individi dhe kolektivi mund të zgjedhin: një jetë për formën e jashtme ose një jetë për qenien e brendshme. Ashtu siç Shpirti individual i mbledh të gjitha format e saja fenomenale – fizike, vitale, emocionale, mentale – rreth vetes, ashtu edhe të gjitha pjesët fenomenale, të cilat i përkasin të njëjtit Shpirt kolektiv, mblidhen në një bashkim të natyrshëm të vazhdueshëm, i cili në fund të fundit nuk është asgjë tjetër përveçse një çështje e vetme e kohës, ku forma e jashtme e vetërealizimit kolektiv – si shtet kombëtar me kufij territorialë “etnikisht” të përcaktuar, i cili është gjithmonë vetëm në kurriz të etnive dhe minoriteteve të tjera, ose si pjesë e një tërësie më të madhe si një shteti federal ose një federate shtetesh – mund të variojë. Për ekzistencën e një koshience kolektive nuk duhen as prejardhja e përbashkët, e cila çohet nga analiza e geneve ad absurdum, as shtetësia e lidhur me një territor, por vetëm historia, kultura dhe gjuha e përbashkët dhe mbi të gjitha identifikimi personal. Kurdët p. sh. nuk kanë një shtet të përbashkët kombëtar, por e konsiderojnë veten pa dyshim si etni ose komb. Më shumë sesa njohuritë e tyre të gjithanshme mbi vendbanimet shqiptare dhe më gjerë më ka hyrë në zemër dashuria e kolegëve dhe miqve të mi albanologë shqiptarë për kombin dhe popullin e tyre, sepse kjo tregon se miqtë e mi kanë arritur të bëhen koshientë për dimensionin shpirtëror të nocioneve mendore “komb” dhe “popull”. Ky dimension nuk kapet me intelekt, por vetëm me zemrën e fshehur pas zemrës.

Për sa i përket çështjes shqiptare, fjala e fundit nuk është thënë ende. Ne do të shohim, nëse pas dy ose tri gjeneratave do të gjendemi ende përballë një kombi të vetëm shqiptar apo – në qoftë se një Shpirt i ri kolektiv është tashmë duke u inkarnuar në një pjesë të shqiptarëve – një kombi shqiptar dhe një kombi kosovar, në analogji me manifestimin përfundimtar të një kombi austriak ndryshe nga ai gjerman jo më vonë se pas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo ne nuk jemi vetëm austriakë, gjermanë, hungarezë, shqiptarë, serbë, grekë etj., por njëkohësisht evropianë, amerikanë, afrikanë, aziatikë etj., që të gjithë ne përsëri jemi një në të qenët njeri dhe akoma pafundësisht më thellë. Ashtu siç ndihem unë jo vetëm si austriak, por edhe si shtajermarkas perëndimor ndryshe nga shtajermarkasit lindor dhe të sipërm, si shtajermarkas ndryshe nga tirolezët, vjenezët etj., si evropian të mesëm, evropian, qytetar i Tokës ose njeri dhe më në fund si Shpirt, i cili mishërohet sukcesivisht në forma bimore, shtazore dhe njerëzore dhe, në transhendencën e tij mbikozmike, është një pjesë e përjetshme e Hyjnores së papërkufizueshme, që i bashkon të gjitha kundërshtitë e mendueshme brenda vetes, ashtu një shqiptar mund të ndihet jo vetëm si shqiptar, por edhe si tiranas, shkodran, prizrenas, tetovar etj. ndryshe nga durrsakët, vlonjatët, gjakovarët etj., si ballkanas ose evropian jugperëndimor, evropian, qytetar i Tokës dhe më në fund si Shpirt i mishëruar në trup njeriu. Me një fjalë: një person mund të ndihet t’u përkasë disa kolektivave dhe prandaj të ketë disa identitete.

Gjatë shtegtimeve meditative në malësi shfaqeshin përherë imazhe simbolike në brendësinë time si ai i shumë diejve brenda njërit diell. Pa ndërhyrjen e kokës zemra kapi në mënyrë spontane dhe intuitive të vërtetën e përmbajtur në të: misteri i përhershëm më i lartë, më i thellë dhe në thelb shumë i thjeshtë është dashuria. Dashuria është Hyjnorja, Perëndia, njësia ose uniteti. Njësia përmban shumësinë. Prandaj ne mund të flasim për Hyjnoren si Njëri/I Vetmi dhe Të Shumtët. Njësia përmban gjithashtu të qenët dhe të bërët. Shumësia përmban Individualen dhe Kolektiven. Pra, Njësia në katër aspektet e saja themelore është Të Qenët, Të Bërët, Individi dhe Kolektivi. Njësia është baza e shumësisë dhe me këtë më e larta dhe shkaku dhe qëllimi i të gjithave. I Vetmi dhe Të Shumtët shpalosin si Shpirti Kozmik si dhe Shpirtrat Individualë dhe Shpirtrat Kolektivë mundësitë e pafund të Të Qenit Suprakozmik-Transhendent në Të Bërit Kozmik-Imanent. Në nivelet e Të Qenit të pahapësirë dhe të pakohë jemi gjithmonë koshientë për unitetin. Në nivelet e Të Bërit hapësinor-kohor bëhemi hap pas hapi koshientë për unitetin tonë të humbur.

Vetëm pasi ne si individë dhe kolektiva ta kemi kuptuar dhe përvetësuar me kokë dhe zemër këtë fakt fundamental, do të jemi në gjendje që nëpërmjet një koshience dhe force të re të ndalojmë ende në kohën e duhur trenin, me të cilin po përshpejtojmë në mënyrë vetëvrasëse drejt murit të përplasjes të ndërtuar nga ne vetë, dhe t’i japim një drejtim tjetër, për të shpëtuar veten tonë si njerëzim nga shuarja e pashmangshme. Ne duhet të mendojmë vetëm për kërcënimin atomik, terrorizmin mbarëbotëror të të gjitha llojeve, mbipopullimin, ndryshimin e klimës të shkaktuar nga ngrohja globale e bërë nga njeriu, ndotjen dhe shkatërrimin e mjedisit si dhe harxhimin e papërgjegjshëm të burimeve natyrore. Nga skenari i pasojave të tmerrshme të rritjes së pakufizuar të ekonomisë, shkencërisht i vërtetuar në përgjithësi nga Dita e Shterimit të Tokës (Earth Overshoot Day) që çdo vit ndodh gjithnjë e më shpejt, na ka paralajmëruar me ngulm Klubi i Romës (Club of Rome) që në fillim të viteve shtatëdhjetë.

Kjo është sfida ultimative për ne të gjithë si individë dhe kolektiva. Shri Aurobindo, Meister Eckhart, Rumi dhe mistikë/jogistë/sufistë, profetë, filozofë dhe poetë të tjerë të të gjitha kohëve dhe kulturave na kanë thënë prej kohësh zgjidhjen në mënyrë të përsëritur. Princi i Vogël i bie pikës: “Njeriu vetëm me zemrën sheh mirë. Thelbësorja është e padukshme për sytë.” Vetëm një ndryshim i koshiencës, i cili bazohet në unitetin e brendshëm, shkakton një ndryshim të të menduarit, të ndierit dhe të vepruarit dhe si pasojë e fundit një ndryshim të botës në kuptimin e një jete në harmoni me natyrën dhe të një paqeje të qëndrueshme. Shumica e shkencëtarëve dhe intelektualëve nuk guxojnë ta shprehin ose madje ta shkruajnë këtë, disa ndoshta as të mendojnë një gjë të tillë, nga frika se do të përqeshen për këtë nga kolegët, studentët dhe lexuesit e tyre dhe të dëmtojnë prestigjin dhe karrierën e tyre. Mirëpo Ken Wilber, i cili ka ndikuar ndër të tjerë Bill Clinton-in dhe Al Gore-in, dhe protagonistë të tjerë të të menduarit integral kanë argumentuar prej kohësh provueshmërinë shkencore të eksperiencave mistike/jogike ose shpirtëroro-spirituale në një mënyrë përgjithësisht intelektualisht të kuptueshme, duke parashtruar përbashkësitë ekzistuese në të gjitha kulturat dhe kohët të eksperiencave të tilla më të brendshme. Kjo – me shumë pak përjashtime – nuk ka depërtuar ende deri tek universitetet evropiane, të cilat i kushtohen si gjithmonë iluminizmit shumë të kufizuar. Arsyeja shkencore, e ndarë nga mistika dhe e ulur në fronin e ndërmjetësimit të së vërtetës, shpall Shpirtin dhe Perëndinë pjellë të fantazisë ose i kalon në heshtje dhe e quan materien shkakun e energjisë, megjithëse është e padukshmja që e lind të dukshmen dhe jo anasjelltas, duke i sjellë me këtë aq shumë fatkeqësi njerëzimit sa monoteizmi çifut, i krishterë dhe mysliman me pretendimin e tyre ekskluziv për të vërtetën hyjnore.

Nga këndvështrimi kontemplativ gjithçka duket e ndryshme. Ashtu siç katër albanologë shqiptarë, një albanolog gjerman, një albanolog hungarez dhe një albanolog austriak ishin simbolikisht në zemër të bashkuar për një javë në malësinë e “skipetarëve”, ashtu jemi ne të gjithë – njerëz të ngjyrave, etnive, kombeve dhe feve të ndryshme – në të vërtet një në thellësinë e Shpirtit. Ka ardhur koha të heqim dorë nga paragjykimet reciproke në kokë dhe zemër, të përqafohemi dhe të pajtohemi si vëllezër dhe motra në Shpirt, në qoftë se duam t’u ofrojmë fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë sesa e kemi pasur ne dhe paraardhësit tanë. Në qoftë se ndodh jo nga interesi, por nga një koshiencë e vërtetë uniteti, në qoftë se e do sinqerisht jo vetëm njëra palë, por edhe pala tjetër – pse Prishtina dhe Beogradi t’i mos japin shembull të mirë botës? Shumë lexuesve mund t’u duket si një utopi naive larg realitetit, por e parë afatgjatë evolucioni spiritual i njerëzimit, ky kërcim kuantik i dëshiruar i koshiencës së masës së madhe, i cili duhet aspiruar duke iu larguar ndarjes fenomenale dhe duke iu afruar unitetit esencial, meqë e lidhur me çlirimin e burimeve energjetike më të brendshme dhe më të larta sot ende të pamarra me mend, është shpëtimi ynë i vetëm nga fundi kolektiv, i cili po përgatitet dhe vetëpërshpejtohet gjithnjë e më shumë, dhe nga i cili nuk do të na ruajnë përparimi sipërfaqësor teknik dhe digjital, derisa nga ana e koshiencës ne mbetemi të lidhur ngushtë me dualitetin dhe natyra jonë njerëzore nuk ndryshon parimisht. Ka ardhur koha kur byku të ndahet përfundimisht nga gruri. Sado të zgjasë ky proces – me hapa të vegjël të ngadaltë apo me një kërcim të vetëm të gjatë: manifestimi hapësinor-kohor i Hyjnores në Tokë në kuptimin e shfaqjes së gjendjes supreme Të Qenë-Koshiencë-Forcë-Lumturi është i pandalshëm. Mirëpo kundërshtimi brenda dhe rreth nesh mund të rritet pothuajse deri në të padurueshme dhe të marrë përmasa apokaliptike përtej forcës sonë të imagjinatës. Prandaj pyetja vërtet e madhe për çdo individ dhe kolektiv është: a do të qëndrojmë në anën e së vjetrës apo të së resë? A do t’i mbyllemi apo t’i hapemi shndërrimit radikal të mendjes, jetës, trupit dhe materies? A do të ndodhë transformimi supramental, i cili e tejkalon pafundësisht sferën mendore, me një njerëzim të bashkuar dhe të vetëkapërcyer duke u shfaqur një lloj i ri spiritualisht mbinjerëzor, apo pa njerëzimin e pabashkuar duke u manifestuar një qenie supramentale? Dhe çfarë do të bëhet me Evropën, Austrinë, Shqipërinë dhe Kosovën? Lajmëtari ose Avatari i këtij krijimi të ri ka thënë një herë: “Evropa krenohet me organizimin dhe efikasitetin e saj praktik dhe shkencor. Unë pres që organizimi i saj të jetë i përkryer. Pastaj një fëmijë do ta shkatërrojë.”
Këto të gjitha mund t’ia pëshpërisë njeriut uji gurgullues në Theth, në qoftë se i vihet në qetësi veshi i zemrës …

Shqipëria e fotografuar nga të huajt – Nga Bajram Peçi*

TË ZBULOSH SHQIPËRINË NËPËRMJET FOTOGRAFISË

NJË RRUGËTIM I GJATË I SHQIPTARËVE NË LENTET E FOTOGRAFËVE TË HUAJ QË NGA SHPIKJA E “DRITËSHKRIMIT”

(Shqipëria e fotografuar nga të huajt)

Bajram Peçi*

(Pjesa e parë)

Fjalia e përbërë, me kuptimin “Dritëshkrim”-fotografi, më 1840-n, në vijueshmëri të punës së pararendësve, u lind nga W.F.Talbot në procesin negativo-pozitiv me stampim në letër.

Fill pas këtij zbulimi, shoqëria franceze “PATHE” filloi të prodhojë “…kuti bosh, të errëta, me një vrimë në një anë dhe një fletë me material të ndjeshëm ndaj dritës në anën tjetër”.

Produkti i këtij parimi u quajt aparat fotografik. Nga kjo kohë fillon fotografia në studio, çka duhet nënkuptuar si një ngjarje: parapërgatitje, stolisje me veshjen më të mirë, perde të rënda në sfond e dritë të bollshme në studio.

Fotografi në studio duhej të ishte domosdoshmërish kimist. Kur më 1888-n firma amerikane nxjerr në treg aparatin fotografik “KODAK” me çmim 25$, i përparuar e me më pak kufij përdorimi, fotografia doli nga studio, nga vendi i saj i mbyllur dhe u bë gjithëpërfshirëse, me gjasa amatore.

Duhej të vinte viti 1913, vit në të cilin gjermani Oskar Barnack shpiku dhe prodhoi aparatin fotografik “LEIKA”, i cili punonte me parimin “shtyp një buton-aparati bën të tjerat”, që t’i jepte të drejtë kujtdo amatori të shndërrohej në fotograf. Nga viti 1923, të bëje fotografi, nuk ishte më e domosdoshme të ishe profesionist.

***

Trojet e njerëzit shqiptarë, herë pas here përshkruheshin nga udhëtarë, historianë, filologë, gjeografë, poetë e antropologë. Kur Ami Boue më 1842-shin u jepte europianëve me “La Turquie d’Europe”, tiparet e bukura të racës shqiptare, nuk i kish mundësitë që t’i ilustronte.

Me fillimin e epokës së fotografisë, do të niste ndërkohë zbulimi i plotë i Shqipërisë. Por, kur është bërë në Shqipëri shkrepja e parë e aparateve fotografike nga të huajt?

Një nga njohësit më të mirë të historisë së të huajve që fotografuan Shqipërinë, është albanologu, shkrimtari e përkthyesi Robert Elsie. Me autoritetin e një studiuesi serioz, ai këmbëngul se i pari fotograf ka qenë austriaku Jozef Szekely, i cili në vjeshtën e vitit 1863 ishte në shërbim të albanologut Johan Georg fon Han. Udhëtimi i tyre ishte programuar e financuar nga Akademia e Shkencave të Austro-Hungarisë. Kohëqëndrimi i tij në Shqipëri dha të parat shkrepje fotografike.

Janë mbi 50 foto të bëra në Shkodër, Prizren, Ohër, Manastir dhe në luginat Drin e Vardar. Për kimistin e fotografin Jozef Szekely, J.Han shkruan: “…J.Szekely e përmbushi detyrën e tij me një zell të jashtëzakonshëm dhe bëri një sërë pamjesh, të cilat mund të vihen në një rang me gjërat më të bukura që ka mundur të realizojë arti i fotografisë”.

Brezi i shqiptarëve të tashëm janë mësuar që dinastinë e fotografëve Marubi ta quajnë vendas, por vetëm në brezin e dytë, me djemtë e Rrok Kodhelit që përshtatën mbiemrin Marubi, si pasues të studios, ata janë shqiptarë.

I pari prej tyre ishte një italian nga Piaçenca. Themeluesi, 19 vjet pas shpikjes, i fotografisë në Shqipëri, Pjetër Marubi, i përndjekur në Itali nga austriakët, vjen e themelon në vitin 1858 në Shkodër të parën studio fotografike në Shqipëri e madje në Ballkan.

Prej këtij autoriteti të madh të fotografisë, Shqipëria e historianët kanë pasur mundësi të trashëgojnë e të shqyrtojnë momente historike të Shqipërisë së kohës, si ngjarjen e madhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e ngjarje të tjera politike të kohës, të cilat ilustruan një pjesë të revistave të njohura europiane.

Pamjet me veshjet e leckosura të luftëtarëve shqiptarë të fotografuara nga Pjetër Marubi, kur u futën në albume, befas u shndërruan në vepra arti.

Në historinë e fotografëve të huaj në Shqipëri, për mungesë dokumentacioni apo kujdesi, ende nuk ka të dhëna nëse kanë pasur fotografë ekspeditat e kryera në Koman, në vendin e quajtur kalaja e Dalmacies, nga konsulli francez A.Degrand, në vitin 1892.

Në kapërcyellin e shekullit XIX, po në Koman ka qenë ekspedita e arkeologut gjerman Trager. Për të dy këta zbulues, nuk bëhet fjalë për ndonjë fond fotografish, por në veprat e tyre gjenden plot ilustrime në foto nga ekspeditat që drejtuan në Shqipëri.

Ndër fondet më të rëndësishme fotografike që të huajt kanë lënë për Shqipërinë, është pa mëdyshje ajo e baronit Franc Nopça. Në vitet 1913-1916, ai udhëtoi në tërë trevat e veriut shqiptar dhe së bashku me sekretarin e fotografin e tij, Bajazit Elmaz Doda, ka fotografuar Shkodrën, banorët, luftëtarët, klerin, relievin, arkitekturën, malet e Munellës në Mirditë, Jezercën, Qafën e Pejës, veriun e Thethit, Cukalin, burra duke kaluar lumin, veten e tij me kostum shqiptar etj.

Janë mbi 100 foto, origjinalet në xham të të cilave ndodhen në Muzeun hungarez të Historisë Natyrore të Budapestit. Jo të gjitha fotografitë e tij njihen në Shqipëri.

Ka shumë prej tyre, me vlera të shumëfishta historike e kulturore që duhen nxjerrë nga muzeu i Budapestit, e pse jo të mos shumëfishohen apo të përmblidhen në një album.

Ne njohim pos shumicën e fotografive që ilustrojnë 54 botimet e Franc Baron Nopçës, vepra e punime për Shqipërinë e Veriut e të kulturës shqiptare, si “Shqipëria e Veriut Katolike”, më 1907-n; “Gjeologjia e gjeografia e Shqipërisë së Veriut”, më 1929-n me 600 faqe; “Shtëpi dhe orendi në Shqipërinë e Veriut” më 1912-n; “Shqipëria: ndërtime, veshje, dhe vegla popullore në Shqipërinë e Veriut” më 1925-n; “Udhëtime në Ballkan: kujtimet e Franc Baron Nopçës”.

Për Shqipërinë e shqiptarët e fillimshekullit XX, një trashëgimi të pasur në fotografi kanë lënë vllaho-shqiptarët, vëllezërit Manakis. Nga fototeka e tyre, prej 17300 fotosh, një pjesë prej tyre u përkasin zonave të banuara nga shqiptarët, si Manastiri, Grevena, Konica, Janina.

Prej tyre kanë mbërritur fotot historike të Kongresit të Manastirit dhe shtëpia ku u mbajt kongresi, banesa e Qirjazëve, vendi ku lindën e u rritën atdhetarët e shquar shqiptarë, Gjergj, Gerasim, Parashqevi e Sevasti Qirjazi.

Në këtë periudhë, pragu i pavarësisë, shfaqen në tregun e kartave postare një mori objektesh me autor Purger, Bjelodinoviç-Mali i Zi, foto Brom-Vien, të cilat ruhen sot kryesisht në koleksionet e filatelistëve, por pa pasur tjetër informacion plotësues.

Foto nga vende ku banonin shqiptarët, në vitin 1913 na ka sjellë edhe fotografi i njohur zviceran, Frederik Boissonnas, i cili së bashku me historianin e artit, Daniel Bo-Bovi, përshkoi Çamërinë e Kosovën. Fredi, siç njihet në botën e artit të fotografisë, nuk ishte fotograf amator.

Ai ishte një fotograf profesionist nga Gjeneva, zanat të cilin e kish trashëguar nga i ati. Nga viti 1904, i pasionuar pas Greqisë, ai e fotografoi atë pareshtur dhe kur Çamëria e Kosova ndodhej në prag invadimi nga trupat pushtuese greke e serbe, fotografoi vende e banorë shqiptarë në Janinë, Pargë, Filat e Konicë; Kaçanik, Ferizaj, Gjilan e Prishtinë.

Një vend të dukshëm në historinë e të huajve për historinë e fotografisë në Shqipëri, zë i dërguari nga Komisioni për Ballkanin i Akademisë së Shkencave të Austrisë, Maximilian Lambertz.

Më 1913-n, para Luftës I Botërore, Lambertz udhëtoi në Italinë e Jugut, për të studiuar të folmet e shqipes së përdorur në komunitetin e arbëreshëve. Bëri fotografi në vendbanimet e tyre në Abruci, Molise, Badhëza, Këmarini, Ruri etj. Diapozitivat origjinalë ndodhen në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës.

Më 1916-n, Lambertz përshkon e fotografon gjithë Veriun dhe Shqipërinë e Mesme. Prej tij kemi trashëgim foto nga Gruda, Shkodra, Lezha, Kruja, Tirana, Durrësi, Shoshi, Shala, lugina e Drinit, Valbonës dhe Mirditës. Në një nga fotot na shfaqet vetë me kostum shqiptar.

Fotografitë e para me ngjyra për trevat shqiptare, shfaqen në fillim të vitit 1913. Ato vijnë nga fotografi August Leon dhe gjeografi Zhan Bryn, shef i katedrës së gjeografisë në “College de France”, të punësuar nga filantropi Albert Kahn, themelues më 1904-n i klubit intelektual në Paris.

Fotografitë e bëra nga ky grup përfshijnë të gjitha trevat shqiptare. Udhëtimi i tyre filloi më 3 maj 1013 në Shkup, vijoi në Prishtinë, Lipjan, Prizren e më 17 maj ishin në Manastir. Në fazën e dytë, më 16 tetor 1913, udhëtimi filloi nga Durrësi, vazhdoi në Tiranë e Shkodër dhe më 22 tetor u larguan për Mal të Zi.

Fotografitë e bëra prej tyre, 94 foto në Kosovë dhe 97 foto në Shqipëri, u ekspozuan në Sorbonë, në konferencën që u organizua për Shqipërinë. Fotografitë me ngjyra japin pamje e ngjarje të rëndësishme, që shoqëronin popullin shqiptar në vitin 1913.

Ardhja e princ Vidit në Shqipëri, me nismën për organizimin e mbretërisë, solli dhe Misionin holandez, me detyrën për themelimin e xhandarmërisë. Së bashku me armët, një pjesë prej ushtarakëve u pajisën edhe me aparate fotografike.

Nga misionet ku ata ishin dislokuar na kanë mbërritur foto të Shqipërisë së Mesme e të Jugut. Nuk ka deri tashmë ndonjë orvatje të organizuar për të mbledhur e sistemuar trashëgiminë e shkrepjeve që Misioni holandez bëri në Shqipëri.

Do të ishte me interes përzgjedhja e tyre, posaçërisht për fotot e bëra në Shqipërinë e Jugut, krahinë e cila në fillimshekull është më pak e fotografuar nga të huajt. Nga ky Mision na kanë ardhur fotot historike të princ Vidit e familjes mbretërore, kryengritja e Shqipërisë së Mesme dhe rebelit turkoshak, Haxhi Qamilit.

Një tjetër mision u shfaq në Shqipëri me fillimin e Luftës I Botërore, “Mission Française des orphelines de la guerre”. Në përbërje të tij, ky mision që u kujdes për jetimët e luftës, pati dhe një fotograf, prej të cilit kanë mbërritur shumë foto nga Lezha, Kruja, si dhe fotodokumente që tregojnë shkatërrimin e ushtrisë serbe dhe tërheqjen e saj drejt Durrësit në vitin 1914.

Nga arkiva e këtij misioni, më se 10 foto të spikatura u përzgjodhën për t’u prodhuar si karta postare, të cilat u qarkulluan për shumë vite në shërbimin postar francez.

Kësaj periudhe i përkasin edhe fotot e ushtarakut serb, R. Marianovitch. Në arratisjen e tyre drejt kufijve shqiptarë, pas thyerjes së trupave ushtarake serbe nga Austro-Hungaria, Marianovich ka dokumentuar tërheqjen në rrëmujë të trupave serbe dhe na ka sjellë shumë foto nga kjo lëvizje, ku në një prej tyre vërehet kalimi i urës së Vezirit mbi lumin Drin.

Nga studiuesit tanë të artit të fotografisë, nuk na ka ardhur ndonjë e dhënë e qëndrueshme, për shumë emra të tjerë, me e pa ndikim në historinë e Shqipërisë, si ekspeditat kërkimore e udhëtimet e Edit Durham.

Gjëkundi nuk bëhet fjalë për ndonjë fond fotosh të saj në udhëtimet e shumta në Shqipëri. Tek-tuk, ndër tekste e botime tonat shfaqet ndonjë foto e saj, por deri tani nuk ka pasur ndonjë përpjekje për të zbuluar e arkivuar fondin e saj të fotografive, kur dihet se dokumente, dorëshkrime, fotografi e ilustrime të Edit Durham ndodhen e janë pronë e muzeve britanikë, si Muzeum of Mankind dhe Muzeum Bankfield.

Po Robert Elsie na jep njoftimin se ka arritur të shikojë 50 diapozitiva të viteve 1903-1913 të ruajtura me titullin “Scutari and the Tribles northern Albania” dhe 50 fotografi të tjera nga Shqipëria me letër e dimensione të ndryshme.

Po kështu, nuk njihet të ketë fonde fotosh për ekspeditat arkeologjike të Kamilo Prashniker, Shober e Leon Rei, të cilët qëndruan, gërmuan e zbuluan, për një kohë relativisht të gjatë, në Durrës, Apoloni e Bylis.

Disa foto shumë të bukura të qytetit të Vlorës, në fillim të shekullit XX, viti 1902, na vijnë prej profesorit të Universitetit të Vjenës, Karl Paç. Nga Muzeu i Luvrit në Paris, në gjysmën e parë të shek. XX, u vunë në qarkullim karta postare, ku në disa prej tyre ishin foto të objekteve arkeologjike të ardhura (mund të themi të grabitura) nga Shqipëria, që kanë qenë e janë fond i këtij muzeu, si Dama Antike Shqiptare, bronz, e gjetur në Gur të Zi. Një tjetër kartë postare vjen nga viti i largët 1872, që paraqet një shpatë bronzi nga Shkodra, objekt i muzeut britanik.

Të paeksploruara plotësisht janë edhe fotografitë e Misionit Arkeologjik Francez, të cilin për më shumë se 10 vjet (deri më 1939-n) e drejtoi një nga profesorët më të shquar të universitetit francez, Leon Rey. Njihen vetëm foto të botuara si ilustrime, por jo të gjitha fotot që ekipi i tij shkrepi në kohën e qëndrimit të gjatë në Shqipëri.

Sipas pohimeve të L.Rey në artikullin e botuar në “L’Europe Centrale” në vitin 1934, ai ka fotografuar dhe zotëron fond fotosh nga gërmimet për zbulimin e Apolonisë, si dhe shumë foto të vendeve që vizitoi, si kështjella të lashta e mesjetare, xhami, kisha e manastire. /gazeta-shqip.com

A DUHET T’ KISHTE SHKODRA..? – Nga Fritz RADOVANI

AT PJETER MESHKALLA S.J.

(1901 – 1988)

25 SHTATOR 1901 U lé në Shkoder At Pjeter MESHKALLA S.J. Ka perfundue studimet per Meshtar në Linz t’ Austrisë, dhe erdhi në Shqipni. Filloi punen si mësues në shkollen e Jezuitve në Shkoder. Mbas transferimit në Tiranë, vazhdoi punen atje.

Në 1945 u takue me terroristin Mehmet Shehu dhe i tha: “Ju, do të kerkoni me zhdukë Fenë me dhunë se, ky asht parimi i parë i komunistëve, aty ku ata marrin pushtetin dhe, Kishat e Xhamijat ju do t’i ktheni në klube e kinema!”.Mehmeti Ju pergjegj: “Kjo është vetëm propagandë e atyre që nuk e duan pushtetin tonë popullor. Kerkojnë me na armiqsuar me popullin. Kjo nuk do të ndodhin kurrë në Shqipëri..!”

21 TETOR 1946 Arrestohet në Tiranë dhe dënohet 15 vjet burg, që i ban të gjitha.

1960 Lirohet nga burgu dhe vjen në Shkoder, në rrugen Ballabane…

29 PRILL 1967 Arrestohet me “Revolucionin Kultural” dhe dënohet 10 vjet burg…

Në mbledhjen e organizueme në Institutin Padagogjik At Mëshkalla tha: “Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar!..”

7 Mars 1977 Lirohet nga burgu…Dhe vdesë në vorfni në Rrugen Ballabane…

1989: Prof. Arshi PIPA shkruente: “Çka i ndriste syni ja shkrepte gjuha!”

25 SHTATOR 2018:Mbasi të lexoni edhe letren e dergueme nga At Mëshkalla S.J.,

Terroristit Mehmet Shehu… Apo fjalen në Institutin Pedagogjik Shkoder kur u arrestue…

Ju lutem, i bani një pyetje vehtes s’ Uej: A e meriton qyteti i Shkodres me pasë një rrugë apo rrugicë me Emnin e Nderuem “AT PJETER MESHKALLA”?

Letër e At Pjetër Mëshkallës S.J.

 

                          Kryetarit të Këshillit të Ministrave

                                             Mehmet Shehu

                                                                                            Tiranë

                        Shkëlqesë,

Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.

Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.

Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.

Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.

Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.

Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet.

Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.

Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?

Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të?

Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.

Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit.

Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.

 

Krytarit të Kësh. të Ministrave                                       Me nderime

          Mehmet Shehu                                                 Pjetër Mëshkalla

   në Kryeministri – Tiranë                                meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.

             5 Prill 1967.

 

Shenim FR: Ky material ribotohet me rasen e 25 Shtatorit 2018, në Vitin e Skenderbeut.

            Melbourne, 24 Shtator 2018.

Sekretet e vulës sekrete të Skënderbeut… e më tej – Nga Fotaq Andrea, Strasburg

 

 

Prelud

 

 

E nisim këtë shkrim me një episod të bukur gjatë takimit tonë me grupin e veteranëve frankofonë shqiptarë në Strasburg, prill 1998, ardhur në kryeqytetin europian në kuadrin e veprimtarive të Frankofonisë shqiptare për të vizituar Alzasën dhe institucionet europiane. Ishin të gjithë emra të nderuar, që kishin dhënë kontribut të fuqishëm për emancipimin dhe progresin shoqëror, e ndër ta prof. Dhimitri Pilika, zbuluesi i dy vulave të Skënderbeut, të vulës zyrtare dhe vulës sekrete. Në një çast gjatë shëtitjes së këndshme plot diell pranveror përpara “Pallatit Joséphine” në Orangerie (atë mëngjes kishte rënë 5 cm borë që i mahniti gjithë ish liceistët veteranë të Liceut të Korçës tek shijuan kështu katër stinët e motit brenda një dite, aq sa dikush thirri: “Ky vend qenka i bekuar nga Providenca!”), në një çast pra, e “ngacmova” profesorin lidhur me teorinë pellazgjike, dhe ai ma priti me qetësi: “Mos i dëgjo fort frëngjit, nuk e honepsin lashtësinë pellazge! – Po pse, ia ktheva, Benloew me shokë e mbrojnë bukur këtë teori. – Nuk e kam fjalën për ata të djeshmit, po për këta të sotmit, modernët,” sqaroi. Dhe pas një ndërprerje nga dikush aty pranë që më këshilloi ta dëgjoja fjalën e profesorit, gjithnjë me qetësi ky vijoi: “Ç’është shkencore tek ata, modernët, duhet vlerësuar, por halli është se interesat politike gjithnjë kanë prishur punë në shkencë. Ndërsa klasikja mbetet gjithnjë klasike”. Ishte ky si një amanet i thjeshtë i pellazgologut tonë të madh që pas katër vitesh do ndahej në heshtje nga jeta…  

 

Është e njohur se siliografia, shkenca që merret me studimin e vulave dhe emblemave, bën pjesë në shkencat tradicionale të historisë së artit. Po ashtu, është po aq e njohur se ekziston një lidhje organike e fuqishme midis vulave, shtampave, monedhave, medaljoneve, emblemave përdorur nga familjet e mëdha fisnike të Europës që nga Mesjeta e hershme, dhe që ato i mbanin si shenja dalluese, personale e familjare, por edhe si shenja dekori e dekorimi me të cilat “vulosnin” kontributin e tyre në Histori. Lulëzonin, në tërë këta elementë, simbolet dhe kodet (shumë herë të fshehta), që përcillnin sa të dhëna individuale, aq edhe autoritet, pushtet e lavdi.

Kohët e fundit, në kuadrin e “Vitit Skënderbeu – 2018”, disa studiues, ndër ta prof. Lutfi Alia, i kanë përqendruar studimet e tyre në medaljonet më të hershme me portretin e Skënderbeut që datojnë – e vërtetuar shkencërisht -, që nga koha kur ishte në jetë vetë KryeHeroi shqiptar. Këto medaljone, siç kemi vënë në dukje në Album-Antologjinë tonë “Skënderbeu – 1413-2017”, Zenit Editions, paraqesin portretet më të hershme të Kastriotit të Madh, “ngjasojnë në stil, në prerje dhe fizionomi tek japin pothuaj të njëjtin portret autentik të Heroit sa ishte gjallë”. Përfundimisht, sot kemi edhe portretin origjinal të Skënderbeut, paraqitur në mënyrë të përkryer në miniaturën e kodikut “De Romanorum Magistratibus”, të Andrea Domenico Fiocco-s, Romë 1465, të cilit i kemi kushtuar shkrimin tonë “Kodiku i katërt në bibliotekën kastriotase me portretin origjinal të Skënderbeut” (maj 2018).

Tanimë, lypset të themi se është i tejkaluar në kohë dhe arkaik konkluzioni se “Nga të gjitha ato që na kanë mbetur prej Skënderbeut janë vetëm katër objekte: dy shpatat, përkrenarja veneciane dhe një libër lutësor”. Jo. Studiuesit e sotëm, të huaj e shqiptarë, me fakte e dokumente kanë zbuluar e vërtetuar edhe mjaft objekte të tjera fizike që kanë qenë drejtpërdrejt në përdorim nga Skënderbeu ose kanë dalë nga kancelaria e tij. Është e pamundur që Heroi shqiptar të ketë pasur, për shembull, në përdorim, përgjatë një çerek shekulli betejash të panumërta, një, dy apo tri shpata; ai ka përdorur e thyer me qindra të tilla, farkëtuar enkas për të nga artizanë krutanë, ka pasur në çdo beteje gardën e vet besnike që e ruante me fanatizëm dhe sidomos ushtarë që e furnizonin me armë sa herë që i thyhej kordha. Fakti është se një shpatë e tretë skënderbejane, e tipit “ensis”, me simbolikë të fuqishme, dhuratë për të nga papa Pali II, ruhet sot në Muzeun “Palazzo Reale” të Capodimonte-s në Napoli dhe i është bërë e njohur publikut që më 1940 nga Angiolo Bianchotti.

Nga ana tjetër, udhëtarë dhe kronikanë të huaj, kryesisht francezë, që kanë vizituar në shekujt XVIII-XIX kolonitë arbëreshe në Kalabri e Siçili, dëshmojnë po ashtu se në mjaft fshatra u tregonin shpata të KryeHeroit shqiptar, madje edhe të thyera, që ata i ruanin me fanatizëm si relikte të çmuara. Sigurisht, nuk mungonte në kësi rastesh edhe ironia e të huajve për të thënë se jo çdo shpatë arbërore e shekullit XV ishte skënderbejane. Po nuk mungonte në kësi rasti edhe përgjigja e pinjollëve arbër për të thënë se Ai, Kastrioti i madh, mbante përherë dy shpata brenda një milli dhe kishte përdorur e thyer në beteja po aq shpata e kordha sa përdorte e konsumonte lapsa e stilolapsa një intelektual a kronikan i ditës. Tekefundit, fakti historik është i tillë se tërë arbrit e emigruar në gadishullin Apenin (mbi 300.000 vetë), bashkëluftëtarë të Skënderbeut, morën me vete krejt armët e tyre dhe gjithçka të vyer që kishin (sidomos ikonat) për të mos i lënë në duar të pushtuesit osman.

Është folur pak a shumë ndër vite edhe për “Librin e Uratave” (datuar në vitet 1450-1460) me emblemën kastriotase, një kodik ky që ka qenë në kancelarinë e Skënderbeut dhe që duhet të ketë shërbyer si libër lutjesh në kishëzën kastriotase të kështjellës së Krujës. Sot është vërtetuar katërçipërisht se Skënderbeu, si gjë të çmuar, ka pasur bibliotekën e tij me kodikë të kohës (deri edhe enciklopedi të artit luftarak)! Ishte sa Skënderbeu i luftës së rrufeshme, aq edhe miku i kulturës, erudicionit, librit, një humanist dhe emancipues i shoqërisë arbërore, siç e vë në dukje Lamartini, orientalisti i madh frëng. Faktikisht, katër kodikë të shekullit XV, për të cilët kemi shkruar, njihen sot në zotërim të Skënderbeut, konkretisht: “Libri i Uratave”; “Libri i Skënderbeut”; “Libri i Petrarkës” dhe më në fund Libri i Fiocco-s “De Romanorum magistratibus”. E themi këtë për vetë faktin se Princi dhe mbreti shqiptar, Kastrioti i Madh, i njohur si Atlet i Krishtit dhe Mbrojtës i qytetërimit europian, ishte i barabartë me Shën Luisin e Francës dhe Zhan d’Arkën për nga bëmat e shkëlqimi, i barabartë me princërit dhe mbretërit e kohës, që kishin edhe ata biblioteka e kancelari të pasur, ashtu sikurse Alfonsi V, i biri Ferdinandi I (me 268 kodikë të inventarizuar), dozhët e Venedikut, Huniadi dhe Matias Corvini, miku i madh i artit e i kulturës.

Mbi të gjitha, sot është vërtetuar më së miri se mori medaljonesh (të paktën tetë syresh) me portretin e Skënderbeut janë gravuruar, derdhur e qarkulluar që në kohën e tij dhe janë jo vetëm dëshmi fizike ardhur nga epopeja e lavdishme skënderbejane, por edhe dëshmi historike e artistike të portretit të tij origjinal, që shpejt do pasohej nga dhjetëra e qindra portrete të tjerë, të ideuar, stilizuar e përpunuar nga emra të mëdhenj të pikturës europiane e botërore.

Më në fund, vetë letrat dhe korrespondenca origjinale e Skënderbeut (për aq sa njohim deri më sot), sidomos me gjurmët e dy vulave të tij (zyrtare dhe sekrete), janë drejtpërdrejt “objekte fizike” që duhen radhitur e çmuar si objekte historike skënderbejane, krahas skicave dhe tablove me portretin e tij, ende të pazbuluara a të hamendësuara si të Bellini-t, Polaiuollo-s apo Baltovinetti-t, piktorë të famshëm italianë të kohës së Skënderbeut.

Në tërë këtë mori objektesh fizike të kohës së Skënderbeut që përmendëm (dhe me siguri e ardhmja do ta shtojë një inventar të tillë), le të ndalemi pikërisht në atë që njihet sot si “Vula sekrete” (sigillum annulare secretum) e Skënderbeut (fig.1).

Figura 1

 

Nuk dëshirojmë të bëjmë këtu historikun e gjetjes së saj që e ka bërë aq bukur I Madhi Dhimitri Pilika në librin e tij “Pellazgët, origjina jonë e mohuar”. Por thjesht do deshëm të theksojmë që në fillim se Pilika duhet kuptuar drejt kur vë në dukje: “Vula sekrete e Skënderbeut ka qenë një gemma antike (gur i çmuar i ngulitur në unazë – ne do thoshim një oniks a jaspër, sipas praktikës së kohës!) që kishte të gdhendur takimin e Zojsit dodonas – nën tiparet e mjellmës – me një perri pellazge, Ledën. Së bashku me vulën zyrtare të Gjergj Kastriotit, ky myhyr i fshehtë u diktua [nënvizimi ynë, F.A.] më 1961 në arkivin e shkencëtarit rilindës sllovak Pavel Jozef Shafarik (1795-1861), që e pat gjetur afro njëqind vjet më parë në Raguzë…” (f. 101). Pilika e thotë pra qartë se nuk kemi të bëjmë këtu me gjetje të vulës fizike të Skënderbeut, siç spekulohet lart e poshtë, por me gjurmën e saj të diktuar e depozituar në një bankë të Raguzës. Dhe domosdo, përderisa në shumicën e rasteve, sipas praktikës së kohës, vula zyrtare dhe ajo sekrete, që garantonte konfidencialitetin më shumë se vetë monogrami, varrosej me trupin e personit që kishte ndërruar jetë, ose pastaj matriçja thyhej për të mos u përdorur e për të mos u falsifikuar dokumentacioni historik. Mbetej kështu vetëm gjurma në dyll apo plumb, apo në çdo material tjetër ku lihej shenja e saj.

Por Pilika shkon edhe më tej kur nënvizon se këtë vulë sekrete – që Skënderbeu e përdorte kryesisht në dokumente financiare (sic!) – Heroi  “e pat trashëguar nga i ati, Gjon Kastrioti, i cili e kishte përdorur qëkuri si vulë, dhe me sa duket e ruante si amanet stërgjyshor kushedi prej sa brezash” (po aty, f. 101). Për të mbështetur këtë pohim, tepër joshës në pamje të parë, Pilika thekson jo pa qëllim: “U përcaktua, mbi baza shkencore [nënvizimi ynë], se myhyrin sekret Skënderbeu e pat trashëguar nga i ati”. Dhe vetëm kaq, asgjë më shumë.

Sigurisht, gjurmës së dyllit apo plumbit mund t’i bëhet studim, madje i hollësishëm, mbi bazë analizash. Sigurisht, mund të kërkohen edhe “simotra” të një vule të tillë nëpër arkiva e banka, që ndoshta mund të jenë ruajtur edhe fizikisht, me qëllim që të përcaktohet njëfarë hershmërie mbi bazë paralelizmi. Por prapë, na duket si e vështirë të besohet se Skënderbeu e kishte këtë vulë të trashëguar nga i ati, brez pas brezi. Dhe ne kemi arsye për ta marrë disi me rezerva këtë pohim të prof. Pilikës. Për më tepër që Kristo Frashëri, historiani dhe eksperti i njohur i “Skënderbejadës” e vë njëfarësoj edhe ai në dyshim këtë hershmëri të vulës sekrete kur shprehet në mënyrë të tërthortë e të kursyer se: “Ç’e shtyu Skënderbeun të zgjidhte këtë temë mitologjike spartane [Leda me mjellmën Zeus], është e vështirë të zbulohet”. (K. Frashëri, “Skënderbeu, Jeta dhe vepra” bot. Toena, f. 198).

Por, le t’i hyjmë analizës sonë në thellësi për të parë e zbuluar pikërisht se çfarë fshihet brenda dhe pas vulës sekrete të  Skënderbeut, në atë gemë të gdhendur mjeshtërisht, futur në shasi të artë tetëkëndore me formë elipsoidale.

Skena e joshjes së Ledës nga mjellma Zeus, me tërë elementët mitologjikë që përmban, ka ardhur që nga Lashtësia e kohëve homerike dhe ka përbërë historikisht temën qendrore të mjaft piktorëve të famshëm botërore, nga Da Vinci, Rafaele, Veronese, etj. etj. deri te Salvadore Dali. Veçse skena tipike e Ledës dhe e mjellmës në vulën e Skënderbeut njihet për një ndërtim mjaft të veçantë: na e paraqet Hyrinë pellazge Leda në pozicion “callipyge”, domethënë “Ledë me vithe të bukura” sipas shprehjes së prof. C. Picard (fig.2). Kjo skenë, gjithë hirësi, hijeshi e hajthmëri, na ka ardhur nëpërmjet monedhave të lashta, sidomos ato të

 

Figura 2

 

prera në kohën e perandorit Alexander Severus. Por mbi të gjitha, skena na shfaqet në mozaikët romakë, kopje të të cilave ruhen sot në Museo del Prado të Madridit, në Vatikan, etj, ndërkohë që mozaiku origjinal me të njëjtën skenë do zbulohej shumë më vonë në Nikozia, më 1972, dhe ruhet në Muzeun e Qipros.

E theksojmë që në fillim se e veçanta e kësaj Lede  skënderbejane, që përbën edhe sekretin thelbësor të vulës sekrete është se kryet e saj nuk janë të mbuluara aspak me shami e flokët  të lidhur topuz, siç e ka paraqitur gabimisht këtë Ledë ndonjë stilist shqiptar i stemave heraldike. Po ashtu, nuk është Leda e paraqitur me skicë në librin e K. Frashërit “Skënderbeu” (vep. e cit. f.197) me kryet e shfaqura pa një përcaktim e kuptim të qartë të mbajtjes së flokëve. Nuk është as Ledë me ndonjë kapë maqedonase të tipit kausia (causia), sikundër është thënë për kapën e Skënderbeut në portrete të tij. Jo. Është pikërisht mbretëresha Leda, kjo Zojë e Zotneshë pellazge, e ëma e vëllezërve binjakë Dioskurë, Poluksit dhe Kastorit (fig.3), me kryet mbuluar me kapuçin e famshëm frigin, atë kapuç karakteristik, deri edhe qelipoç si qylaf labi e qylaf gegu që do ta mbanin djemtë e saj, njëkohësisht edhe djemtë e Zojsit dodonas, në mbrojtje të vegjëlisë, e sidomos të detarëve nga rreziqet. Është po ai kapuç frigin (bonnet phrygien) i Anadollit të lashtë, plisi apo pileusi i skllevërve të çliruar romakë dhe që do të

 

 

Figura 3 e 4

 

bëhej më vonë edhe simbol i Revolucionit francez dhe i lirisë në Shtetet e Bashkuara. E më tej, është po ai kapuç iliro-pellazg, po ajo takije stërgjyshore që haset në monedhat e Dyrrahut të lashtë dhe mbi kryet e Orfeut të mozaikut të Durrësit, (fig.4) dhe që paralajmëron tashmë kapelen e famshme albanoja, në ngjyrë të kuqe apo të bardhë, të cilën garda skënderbejane dhe stradiotët shqiptarë do ta lartësonin edhe një pëllëmbë më shumë për ta mbajtur në kokë gjatë betejave të stuhishme si shenjë dalluese. Është tekefundit, kapuçi i parapëlqyer i vetë Skënderbeut, që e ka mbajtur edhe ai mbi krye sa ishte gjallë, siç e shohim në portret e tij të hershme! (fig. 5 e 6).

 

 

 

 

 

Figura 5 e 6

Po çfarë është dhe çfarë përfaqëson konkretisht ky kapuç me formë kaq të veçantë, maja karakteristike e të cilit shkon sa përpjetë, aq edhe para, prapa, majtas, djathtas? Ku qëndron mitikja, mistikja dhe simbolika e tij dhe çfarë të veçante përmban tek vula dhe tek portretet e Skënderbeut?

Së pari, Leda e vulës së Skënderbeut me kapuç frigin përbën domosdo një simbol, apo një njësi heraldike, të themi, dhe është tërësisht unikale, që do të thotë se në asnjë rast tjetër nuk do të haset historikisht në heraldikë a vula një Ledë e tillë me këtë kapuç karakteristik dhe me krejt kurrizin të zhveshur siç jepet në vulën sekrete.

Së dyti, kjo vulë duhet të jetë e porositur drejtpërdrejt nga Skënderbeu tek artizanët e Venedikut, Firences a Raguzës, për të shfaqur nëpërmjet kësaj Lede idenë e tij madhore e sublime të prejardhjes së arbërve nga pellazgët e lashtë, dhe drejtpërdrejt nga friginët e Azisë së Vogël apo Anadollit, nga vendi i skitëve (skythëve) e albanëve, nga ai Anadoll i pushtuar nga osmanët, si për t’u thënë këtyre: “Të parët e atyre Trojeve që keni pushtuar ju, jemi ne, arbrit dhe friginët e moçëm, që nuk kemi frikë nga ju!” Sepse, në fakt, a nuk shkroi Barleti për origjinën e arbërve nga Skitia dhe a nuk i këndoi Ronsard-i skitëve trima të Skënderbeut? Kur dihet tashmë se ishin fiset pellazge parailire ato që shtriheshin në Lashtësi gjer në Azinë e Vogël dhe se iliro-arbërit shqiptarë të Ilirikumit kishin lënë gjurmët e tyre të hershme edhe në atë vend të skitëve, friginëve, kolkidëve e albanëve të atjeshëm, në atë vend të amazonave, atje ku fëmijët “lindnin me flokë të bardha e sy të kaltër”.

Së treti, kjo vulë, si rizbulim i Lashtësisë, si kujtim i ringjallur i saj dhe si simbol i personalitetit politik e juridik të Skënderbeut (po aq sa vetë shqiponja dykrenore e vulës zyrtare), përcjell në Histori nëpërmjet figurës së mjellmës një mesazh paqeje, purifikimi, bardhëllimi e dashurie, kur si pëllumbi, si mjellma njihen për një simbolikë të tillë. Veçse te simboli mjellmë, shpendi i shenjtë i Apolonit, simboli i muzës, bukurisë, shpirtit, simbol sa sublimes aq edhe purifikues, shohim tashmë edhe diçka hyjnore (bashkimin e Zeusit me Ledën) për të dhënë një Ledë po aq “tokësore” sa “Venera e përgjumur” e Giorgione-s, si një shtojzovalle me mes të këputur – “Ledë – Oh e Lehta flutur!” do thërrisnim poetikisht nga shpirti. – Është kështu një Ledë nuse mali arbërore, Dianë a Zanë e dikurshme, që rrinte e kundronte bjeshkëve dhitë me bri të arta për t’ua shtuar fuqitë kreshnikëve. A nuk është dhënë historikisht për herë të parë vetë figura e Donika Kastriotit shoqëruar nga dhitë briarta që do bëheshin po ashtu edhe simbol i përkrenares skënderbejane?! Ja ku puqen tërë elementët heraldikë, që nuk janë aspak të rastësishëm.

Së katërti, e rrjedhimisht, Leda dhe mjellma e vulës sekrete është edhe simbol i mëmësisë, që lindi gjithësinë nga veza e saj hyjnore dhe po se po heronjtë homerikë, Helenën dhe trimat e Trojës, por lindi edhe pasardhësit e tyre, kreshnikët ilirë e arbër. Është pra simboli i gruas ideale, simboli i dashurisë, i përkushtimit dhe përkujdesjes, tek shenjtërohet vasha arbërore, gruaja e merakosur për fatin jo vetëm të “Mjellmës-Zeus” të trishtuar, por edhe të një shoqërie të tërë fatkeqe të kohës, që po njihte vetëm luftëra e qëndresë të pandërprerë. E më tej, është po ashtu një Ledë mitike me nudo artistike, si Eva e Parajsës, që orvatet të mbulojë vithet plot hir me tisin e shenjtë, atë tis që do mbulonte vetë Krishtin e zhveshur.

Kësisoj, Leda gjysmë e zbuluar e vulës së Skënderbeut bëhet njëfarësoj mesazhere e një emancipimi të fuqishëm shoqëror, kur dihet se shoqëria e kohës së Skënderbeut po dilte nga Mesjeta e rëndë e grave mbërthyer gjer në grykë me tesha, dhe kur Treçentoja e famshme italiane kishte paralajmëruar tashmë epokën e re të Rilindjes dhe të Humanizmit dhe kur nudoja artistike do të hyjnizohej, krahas bukurisë së trupit të zhveshur e të çliruar të gruas europiane të rilindur. Pra, me këtë vulë unazë, dokumentuar për herë të parë më 1450, me këtë Ledë rilindëse, vetë Skënderbeu na shfaqet si pararendës e promotor i krejt proceseve emancipuese të shoqërisë arbërore, për përfshirjen e trojeve të bashkuara të shtetit të tij në Rilindjen europiane. Kësisoj, vula sekrete, përtej një simbolike të thjeshtë me zanafillë nga Lashtësia, dëshmon për shkallën e lartë të emancipimit shoqëror në shtetin e Arbrit. Dhe me të drejtë studiuesi I.S.Karanxha shtron çështjen se duhet të jetë Skënderbeu në Krujë ai që iu rikthye i pari mitit të Ledës me mjellmën, kur dihet se skulptori fjorentin Averlino, i quajtur Filaret, nuk do të vononte ta pasqyronte gjerësisht në artin ikonografik italian e europian legjendën e Ledës (në vitet 1450-1460), legjendë që do të përhapej artistikisht në shkallë të gjerë aty nga fundi i shekullit XV.

 

Sikurse theksuam më lart, vetë Skënderbeu, krahas beretës italiane “alla Caramagnola”, ka mbajtur sa plisin shqiptar me bordurë gëzofi, aq edhe kapuçin frigin të Ledës së vulës sekrete. E shohim këtë kapuç në disa gravura të lashta të portretit të KryeHeroit, që datojnë në shekullin XVI për të ilustruar botimet frëngjisht, gjermanisht e anglisht të Barletit, madje kapuç me të njëjtën fortesë gëzofi (bourrelet) si te Leda e vulës, një  veçori kjo tipike e këtij kapuçi, një detaj më shumë që nuk ka si të mos na tërheqë vëmendjen.

Në fakt, ka qarkulluar kohët e fundit në internet nga blogerë shqiptarë të pasionuar

Figura 7

 

pas madhështisë së Heroit kombëtar një portret shumë i bukur i Skënderbeut me ngjyra e me kapuç frigin, (fig.7) tepër domethënës për shumë arsye, portret pa emër autori, pa datë, kur dihet se portretet klasike përgjithësisht nuk mbanin emrin e piktorit. Po ku qëndron e veçanta e këtij portreti që nuk është komentuar ende nga ndonjë studiues, me sa dimë? Për më tepër që ky portret zbukuronte kohët e fundit edhe sallën e Institutit albanologjik të Prishtinës në një veprimtari për “Vitin Skënderbeu 2018”.

Nga sa vihet re, portreti duhet të jetë realizuar në velin (lëkurë viçi). Përmban frizura dhe zbukurime ari (dhjetë të tilla, pesë lart dhe pesë poshtë) me tematikë kryesisht fetare, ku dallon simboli i kryqit, e mbi të gjitha, të katër skajet përmbajnë po në ar, shqiponjën skënderbejane me krahë përpjetë dhe trup të plotë, si dhe me kurorë mbretërore përsipër, çuditërisht pa yllin me gjashtë cepa. Shqiponja dykrenore shfaqet kështu tepër e veçantë dhe është e qarkuar në formë rrethi me frizurë po të artë. Krejt portreti qarkohet në formë ovaleje dhe na jep një Skënderbe më se origjinal, meso-burrë të hijshëm me mjekër të bardhëlleme, aspak plak të moçëm e legjendar, siç jepet zakonisht në gravurat e fillim shekullit XVI, por një figurë mbi të gjitha me kapuçin frigin të Ledës, dhe më afër miniaturës së Fiocco-s për nga mosha, gjë që flet për një portret ndoshta të shekujve XV-XVI dhe  realizuar nga dorë mjeshtërore. E gjithë tabloja kuadratohet sërish nga frizurë e plotë ari, gjë që ia shton edhe më shumë vlerën tablosë, si një vepër luksoze e nivelit të lartë, që duket si e porositur për një qëllim të caktuar. Me një sy më hulumtues, vepra shfaqet edhe si mbulesë kodiku a libri të shtypur, gjë që e bën atë akoma më të mistershme.

Me shpresë se së shpejti, do kemi të dhëna më konkrete dhe interesante për këtë portret të hershëm të Skënderbeut, e mbyllim këtu shkrimin tonë për misteret e vulës sekrete të Skënderbeut, që u përpoqëm t’i zhbirilojmë në kuadër hipotetik, pa pretenduar aspak për vërtetësi absolute, por gjithnjë duke respektuar për aq sa mundëm kriteret shkencore të heraldikës krahasuese dhe të vetë siliografisë.

FOTOT- “Avionë, tanke, luftanije dhe nëndetëse me vlerë 130 miliard dollarë”. Cila ka qenë pasuria e ushtrisë shqiptare së viteve ’80?

Nga Leonard Veizi/ Kolonel Pëllumb Zaimin, ish-punonjës shkencor dhe ish-pedagog në Akademinë Ushtarake flet për vlerën monetare të sektorit të mbrojtjes së viteve ’80. Pasuria marramendëse e ushtrisë, 130 miliard dollarë asete?

*****

I pabesueshëm, në sasi dhe vlerë monetare, arsenali i lëvizshëm i ushtrisë shqiptare deri në vitin 1990. Nëse  shtohen dhe objektet e palëvizshëm e territoret, shifra rritet në mënyrë katastrofike…

 

…Në sektorin shkencor të Akademisë Ushtarake, ku ai bënte pjesë bashkë me 5 kolegë të tjerë si ekspert i analizave ushtarake, vinin informacione më shumë se kudo tjetër, për shkak të rëndësisë që kishte vetë detyra. Falë punës së gjatë në sektorin nga dilnin tezat, nga ku duhej të mbështetej ushtria në paqe e në rast lufte, ai ka njohuri të gjithanshme. E veç kësaj, pas përvojës në terren si komandant i një batalioni art-mitraljer, vite më vonë do të emërohej edhe në krye të kabinetit të komandës së forcave ajrore. Duke pasur këto detyra, ai është i gatshëm të japi përgjigje edhe atje ku duket se nuk e ka informacionin e duhur. Gjithsesi, koloneli në rezervë Pëllumb Zaimi, thotë se ushtria Shqiptare “notonte” mbi para, përderisa asetet e saj të shitëshme, kapnin një vlerë prej miliarda dollarësh. Të gjitha këto ai i sqaron gjatë një interviste për gazetën “Dita”:

Si trajtohen sot nga ana financiare ushtarakët e dalë në lirim dhe ata në pension?

Ushtarakët shqiptarë duhet të trajtohen më denjësisht, ata që janë në detyrë, ata që kanë dalë në rezerve dhe ata që janë në pension. Para ka mjaftueshëm për të gjithë ushtarakë e ish-ushtarakë, sa për të mos e ndjerë krizën.

Në një krizë globale ku mund të gjenden këto para?

Ato duhet të ishin bërë vit pas viti, që nga çasti që u mor vendimi politik se Shqipëria nuk kishte nevojë për një ushtri aq të madhe sa ishte ajo e viteve ’90. Pra këto para gjendeshin në asetet e ushtrisë. Aty ka pasur shifra kolosale parash, por dhe ka ende. Them ka pasur pasi një pjesë e mirë e tyre tanimë janë zhdukur. Por në qoftë se asetet e ushtrisë do të administroheshin në rregull e sipas ligjit, vetëm 10% e shifrës totale që kapin këto asete do ta rregullonin bilancin e pagave të ushtrisë dhe administratës shtetërore për shumë vite me radhë. Dhe kriza nuk kishte pse të ndihej as sa t’u heqësh ushtarakëve dhe ushqimin.

Të flasim më konkretisht?

Ushtria shqiptare e viteve ’90 ka pasur një arsenal të jashtëzakonshëm, armësh, municioni, karburanti, ushqime e veshmbathje. Nëse këto do të shiteshin sipas rregullave, buxheti i shtetit do të furnizohej çdo vit me disa qindra milionë dollarë.

Çfarë shifre kapin këto asete?

Ju them pa frikë, duke u bazuar në atë që kanë nxjerre dhe specialistët e fushës, se ushtria shqiptare ka pasur asete që vlenin deri në 130 miliard dollarë, duke futur këtu objektet dhe territoret.

A nuk ju duket kjo një shifër shumë e lartë, madje e ekzagjeruar?

Mund të jetë shumë e lartë por është e vërtetë dhe e bazuar mbi fakte konkrete.

Që do të thotë…?

Që do të thotë se vetëm municioni i ushtrisë shqiptare, ai i importuar dhe ai i prodhuar në vend, i sistemuar në disa qindra depo e tunele, kap shifrën e 65 miliard dollarëve. Të mos harrojmë se uzina e Poliçanit prodhonte 48-58 ton municion në 24 orë, fishekë pushke, automatiku, mitralozi të lehtë e të rëndë. Gramshi prodhonte 400-500 automatikë e pushkë automatike në ditë ose 120 mijë në vit me një kosto prej 6000 dollarë për copë. Kostoja ishte e lartë pavarësisht se ato në tregun e zi të viteve të fundit patën një vlerë shitje prej 300 dollarësh. Mjekësi prodhonte më shumë se 6000 ton eksploziv në vit.

Ndërkohë çfarë tjetër mund të ishte e shitëshme nga arsenali i ushtrisë?

Ushtria shqiptare ka pasur 196 avionë dhe helikopterë, dhe po të shtojmë këtu 40 avionë AN-2, 3-avionë qeveritarë IL-14 shkojnë 240. Flota ajrore numëron 125 avionë MIG të tipave të ndryshme që varionin nga 15-25 milion dollarë për ekzemplarë. Mesatarja kap vlerën e 4 (katër) miliard dollarëve.

Sa ka qenë forca e ushtrisë tek mjetet e blinduara?

Në ushtri numëroheshin 1200 tanke e transportues të blinduar. Një tank kapte shifrën e 600-800 mijë dollarëve sipas tipave. Mesatarisht kap vlerën 1 (një) miliard dollarë.

Po artileria kundërajrore?

Në artilerinë kundërajrore numëroheshin të paktën 4000 gryka zjarri që përbëheshin nga mortajat 60 mm, tek topat obuz 122 e 150 mm. Ndërkohë në këtë artileri futeshin edhe katjushat ML-130, 12 dhe 19 grykëshe. Marr parasysh se topat obuz më të thjeshtë, ata 122 kanë pasur në një vlerë prej 70 mijë USD. Në artilerinë kundërajrore futen edhe grupet e raketave SAM-2 tokë-ajër. Ushtria shqiptare dispononte rreth 200 të tilla.

Të vijmë tek forcat Detare?

Forcat Detare numëronin të paktën 100 copë anije të tipave të ndryshme, nga të cilat 4 nëndetëse, 4 gjuajtës të mëdhenj, 6 gjuajtës të vegjël, 2 dragamina të mëdha, 6 dragamina të vogla, rreth 60 katra silurues etj. Por ka pasur dhe një armatim prej 400-500 copë silura me vlerë rreth 1500 dollarë copa, (700 mijë dollarë) dhe mbi 2000 mina detare me vlerë mbi 1000 dollarë copa (2 milion dollarë).

Çfarë vlere kishin uzinat ushtarake?

Kishim uzina ushtarake me vlera kolosale si: Uzina e Tankeve dhe e Artilerisë në Tiranë, e baterive në Berat, e armatimit në Gramsh, e municionit në Poliçan, e lëndëve plasëse në Mjekës, (që ishte 100 % me teknologji suedeze), ishin gjithashtu uzina e riparimit të avionëve në Kuçovë, uzina e lokacionit, KRAF-i i Pasha Limanit, për remontin e anijeve mbiujëse dhe nëndetëseve. Këtu nuk po përmend një seri mini-uzinash në të gjithë territorin e republikës ku bëhej remont i pjesshëm i mjeteve luftarake. Këto uzina kishin teknologji moderne, përgjithësisht kineze por dhe franceze e suedeze që ishin fjala e fundit për kohën. Vlera monetarë është vështirë të nxirret pa dokumentet përkatës.

Sa ka qenë ndihma në vlerë monetare që na ka dhënë Bashkimi Sovjetik dhe Kina?

Natyrisht unë nuk mund të flas dot për gjëra që nuk i di, por mund të jap vetëm një shifër të parë në një dokument sekret. Në atë dokument flitej për një ndihmë prej 17 miliard dollarësh të dhënë nga Kina në vitet 1974-1976, e gjitha në pajisje ushtarake.

Çfarë arsenali ushtarak sillte Kina në Shqipëri për të pasur shifra të tilla marramendëse?

Mund të them se në ndihmat e Kinës për ushtrinë shqiptare fillonin nga thikat speciale që përdoreshin në të gjithë ushtrinë, por sidomos tek repartet e zbulimit, tek dylbitë B-12 që e afronin një objekt deri në 12 herë, e për të shkuar tek tanket, avionët e mjetet e riparimit për nëndetëset e anijet mbiujëse luftarake. Të mos harrojmë se ushtria kishte rreth 15 mijë automjete transporti. Por gjithashtu brigadat e xhenios kishin në inventar disa dhjetëra ura të montueshme të tipit “Ponton” dhe “Beli” ku kalonin jo vetëm trupa këmbësorie e makina, por dhe tanket. Por nga Kina edhen edhe disa spitale fushor me të gjitha pajisjet. Ndërkohë ushtria u pajis radio-lokator, por dhe me radio-pelingator për 7-8 pikat e radio-zbulimit të ushtrisë.

A ka një inventar të plot të këtyre mjeteve?

Para vitit 1992 këto inventarë kanë qenë të plota, por pas vitit 1997 gjithçka është asgjësuar. Kjo kërkon një revizionim të saktë. Nëse ngrihet një grup pune me revizorë e teknicienë dalin përfundimet. Nuk dihet çfarë është bërë e po bëhet me pronat e ushtrisë, që siç e përmenda, ato kapin një shifër prej 130 miliard dollarësh.

Asgjësimi i rezervave të luftës

Sipas kolonel Pëllumb Zaimit: “Ushtria ka pasur rezerva të mëdha të paprekshme që kodoheshin “101 K”. Në këto rezerva futeshin edhe vlerat monetare në rast lufte që ishin tepër-tepër sekret. Por kishte ushqim, veshmbathje, municion e karburante të projektuara për 5 vite lufte. Në vitin 1997 u shpërdoruar të paktën 50 mijë ton karburant, dhe në atë kohë karburanti kishte një vlerë prej 600 lek për litër. Por me këtë rast u asgjësuan dhe dokumentacionet dhe kështu askush nuk u fajësua për këto vjedhje gjigante që ishin pasuri e ushtrisë dhe e vetë popullit shqiptar”.

Objektet e ndërtuara, ushtria 120 mijë apartamente

“Në fund të vitit 1992 na vjen një urdhër i ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali, i cili kërkonte të dinte se sa sipërfaqe banimi kishte Divizioni i Parë i Tiranës (që ishte dhe më i madhe në vend), me qëllim që të strehoheshin ushtarakët që ishin pa shtëpi. Punuam mbi harta dhe në fund dolëm në konkluzionin se Divizioni i Parë kishte hapësira banimi prej dhomë e kushinë, 1+1 sipas standartit të kohës, të paktën 8000 hyrje. Shqipëria kishte një potencial prej 22 divizionesh. Po të marrim një mesatare që njësitë e tjera kishin 5000-6000 hyrje të tilla, pra 1+1, mund të strehoheshin të paktën 120 mijë familje. Por ku janë këto prona tani, po trojet përreth tyre? Ky është dhe abuzimi më i madh i qeverive që kanë ardhur në Shqipëri pas vitit 1992”, kujton kolonel Zaimi.

 

Ndërtimi i fortifikimeve

Pëllumb Zaimi thotë se në Shqipëri u ndërtuan 175 mijë qendra zjarri, ku çdo njëra prej tyre kishte një vlerë prej 7500 lekë të reja, me përjashtim të atyre më të mëdha. “Por ndërtuan dhe shumë kilometra tunele nëntokësore bazat e strehimit të avionëve dhe dy kryeveprat arkitektonike që ishin Baza Ajrore e Gjadrit dhe Baza Detare e Porto-Palermos. Gjithashtu janë ndërtuar dhe komandat e batalioneve, brigadave e më tej. Këto objekte janë ndërtuar me punën e oficerëve dhe ushtarëve. Më kujtohet që kur isha oficer i ri, komandanti i batalionit Destan Shira ngriti me ushtarët e oficerët, por duke qenë vet në krye të punëve, komandën e batalionit dhe ndërtesat e kompanive me një hapësirë prej 800 metra katrorë. Gjithçka me forcat e repartit e duke thyer gurë në mal. Duhet kuptuar se për kohën fortifikimi ishte i nevojshëm. Nuk ishim të vetmit që merrnim masa të tilla. Për shkak të Luftës së Ftohtë, Norvegjia hapi mbi 11 mijë/km tunele fotifikuese, Zvicra 16 mijë/km, Franca 8 mijë/km ndërsa vetëm Moska gjithashtu 8 mijë/km tunele që shërbenin për komandën e Përgjithshme Sovjetike”./TEMA

Historia tronditëse e gjimnazistit që dha shpirt pas torturave në hetuesi, amaneti për nënën: M’i ço fjalë e i thuej se…

Çastet e fundit dhe amaneti i Filip Logorecit, lënë bashkëvuajtësit të tij të qelisë, Zef Staku. Historia tronditësë e gjimnazistit shkodran që humbi këmbë e duar nga torturat çnjerzore në hetuesi e më pas dha shpirt në burgun e  Shkodrës.

Marre nga Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit/ Luljeta Progni

Kur në radio BBC dëgjohej zëri i Anton Logorcit, duke analizuar se si po shkeleshin të drejtat e njeriut në Shqipëri, i vëllai Filipi, po vuante të gjithë egërsinë e diktaturës komuniste nëpër birucat e burgut famëkeq të Shkodrës së viteteve të para të komunizmit. Filip Logoreci, ishte fëmija i shtatë i familjes  Logoreci në Shkodër. Sapo kishte përfunduar gjimnazin. Natyrisht kishte ëndrrat e tij për të vazhduar studimt e larta si fëmijët e tjerë të Logorecëve. Është ndër ndër familjet e spikatura në Shkodër e  mbarë vendin, për traditën e dijes, kultures e patriotizmit. Por Filipi nuk do të mund ta vazhdonte traditën sepse regjimi kishte vendosur të lëshonte mbi të, të gjithë mllefin monstruoz për kundërshtarin e regjimit.

I vëllai i Filipit, Anton Logoreci, ishte në atë kohë drejtues  i sektorit për Shqipërinë dhe Evropën Lindore në radio BBC, në Londër.  Anton Logoreci ishte një ndër analistët më në zë të BBC në atë kohë dhe mjaft aktiv për ngjarjet që po ndodhnin në vëndet e kampit komunist. Natyrisht Shqipëria dhe regjimi komunist, zinin një vënd të rëndësishëm në analizat e tij. Sa më shumë fjalë lëshonte Anton Logoreci kundër regjimit komunist, aq më shumë ngushtoheshin hekurat nëpër kyqet e këmbëve dhe duarve të njoma të të vëllait gjimnazist, Filip Logorecit.

Janë katë vite të mundimshme nëpër birucat e burgut të Shkodrës, atje ku u torturuan e u vranë qindra kundërshtarë të regjimit komunist.  E ka rrëfyer historinë e Filipit, bashkëvuajtësi i tij i burgut, Zef Staku, dhe na vjen përmes një artikulli të botuar në Shkodranews, nga pinjolli i i kësaj familje Pjetër Logoreci. Në këtë rrëfim, ka detaje shumë të dhimbshme të ditës së fundit të Filip Logorecit në burgun e Shkodrës.

Vakti i fundit

Familja e Filipit kishte sjellë disa ushqime dhe vshjmbathje sipas rregullores, pasi lejohej një herë në tre muaj që familjarët të mund të kujdeseshin për të burgosurin. Filipit nuk i lejohej takimi me familjen. E ëma Maria nuk e kishte parë qysh ditën kur e arrestuan dhe nuk e dinte se çfarë po ndodhte me të birin. Ashtu në heshtje e ëma e la atë çantë me ushqime e veshje për të birin dhe u largua zemërthyer. Pas pak gardiani i burgut u shfaq në qelinë ku ndodhej Filipi dhe shokët e tij…Me ulurima ai thirri në derën e qelisë: … Cili është Filipi?! … hajde të marrësh ushqimin që solli familja…!

Por Filipi nuk mund të çohej sepse ai nuk i kishte as duart, as njërën këmbë. Doktori i burgut kishte vendosur tia priste pasi nuk kishte zgjidhje tjetër. Për shkak të shtrëngimit të hekurave gjymtyrët e Filipit ishin gangrenizuar.  Filipi jetonte si në ferr me dhimbje e rënkime. Bashkëvuajtësi i tij, Zef Staku, kujdesej çdo ditë për të duke u përpjekur ta ushqeje, ta lajë e ta ndërrojë me aq mundësi sa kishte.

“Filipi  nuk mund të ngrihet, zotni komandant”, u dëgjua zëri i Zef Stakut përtej hekurave, “ai asht shumë i smurë e ka ra në kllapi prej ethesh…”.  Kapterri hodhi mbi çimento tasat e ushqimit duke mallkuar Filipin, Lekën e gjithë të tjerët…

Zef Staku, e mori çantën me ushqime që nënë Marija kishte dërguar për Filipin dhe u përpoq ti jepje një lugë me lëng mishi. Por Filipi ishte shumë i sëmurë e nuk mund të hante as të pinte.  Në qeli ishin 13 veta. Askush nuk bzante në respekt të orëve të fundit të jetës të shokut të vuejtjeve. Në qeli vazhdon heshtja. Filipi është në grahmat e fundit  por po përpiqej të belbëzojë disa fjalë. Zefi arrin të kuptojë përmes belbëzimesh: … Zef, … nanës, mi ço fjalë nanës…, … i thuej që e kam dasht shumë… nanës…Zef”

Prej së largu u dëgjuan këmbanat e kishës, ndërsa Zefi përshperiste lutjen e fundit për shpirtin e Filipit. Pas pak orësh dëgjohet përtej hekurave edhe britma e nanës Mari.

Kujto.al

Shkresa – Cili është hoteli në Tiranë që përgjon e filmon klientët, çfarë zbulon raporti i Komisionerit

Hotel Plaza në Tiranë është paditur nga klientët dhe nga punonjësit e saj se survejohen në ambientet e brendshme të godinës shumëkatëshe.

Këto ankesa i janë dërguar Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi i cili pasi ka bërë dhe verifikimet përkatëse, ka dal në konkluzionin se Hotel “Plaza” në Tiranë përgjon e survejon në çdo cep të tij me kamera shumë cilësore.

Veç klientëve VIP ankesat janë bërë edhe nga punonjës të këtij hoteli, të cilët janë shprehur se filmohen e regjistrohen gjatë kohës së punës, në biseda konfidenciale apo frekuentimin e mjediseve të këtij hoteli.

Sipas procesverbalit të datës 11.04. 20-18, për faktet e dala, nga hetimi i kryer në hotel “Plaza Tirana sh.a”, rezulton se ky biznes, me frekuentim të personave e grupeve klientë “VIP”, ka instaluar sistem video-survejimi, të tipit “CCTV”, me kamera të thjeshta dhe cilësore “4K”, me rreze 360 gardë, të cilat vrojtojnë çdo skutë të mjedisit, brenda e deri në 300 metër distancë, jashtë hotelit.

Mbikëqyrja, nëpërmjet sistemit të video-survejimit (CCTV), e ambienteve si palestra force, palestra aerobi, korridoret dhe mjediseve tjera të pushimit e qëndrimit, brenda dhe jashtë hotelit, përbën shkelje.

– Kontrolluesi (survejuesi) Hotel “Plaza”, nëpërmjet këtij rrjeti survejimi, mbledh dhe përpunon të dhëna “imazhe-video”, të klientëve e punonjësve të tij.

– Stafi i hotel “Plaza”, kryen dhe mbledhjen e të dhënave sensitive (grup gjaku) dhe kjo përbën shkelje të rëndë.

Pas zbulimit të këtij skandali, Krye-komisioneri, Besnik Dervishi, ka urdhëruar pronarët e Hotel “Plaza Tirana sha.a”, të ndërpresin urgjent, veprimtarinë survejuese me filmime, video, fotografi e marrje grup gjaku, duke i lënë këtë ultimatum zyrtar:

  1. Hotel “Plaza Tirana”, të shkatërrojë të dhënat personale “imazhe video”, të punonjësve e klientëve, të grumbulluara nëpërmjet sistemit të video-survejimit (ÇTV).
  2. Hotel “Plaza Tirana”, të shkatërroj, të dhënat “sensitive” (grup gjaku), që ka mbledhur për punonjësit dhe këdo tjetër.
  3. Brenda 15 ditëve, këto detyrime, të jenë realizuar, në të kundërt, do të veprohet me gjobë, ose me denoncim publik.

Diskutimi i Enver Hoxhës për delet e zeza: Lebërve u vjen mirë ti dërgosh letra përgëzimi

Nga Kastriot Dervishi

Komunizmi, anën kriminale të tij e ka të lidhur ngushtë me ekonominë e dobët. Udhëheqësit komunistë sa gjakatarë ishin në drejtimin politik, aq ishin edhe injorantë në drejtim të ekonomisë. Procesverbalet e bisedave të tyre, janë tekste të jashtëzakonshme humori që na tregojnë në çfarë derexheje përfundoi ky shtet me të tillë njerëz. Kam përzgjedhur disa ekstrakte bisedash. Më 16.10.1984 Sekretariati i KQ të PPSH-së dhe të ftuar, diskutoi një rend dite të përbërë prej 6 pikash, e para e të cilave ishte problemi i mishit, i cili kishte kohë që ishte zhdukur nga tregu si mall normal dhe jepej vetëm me miqësi ose me kufizim e me tallona. Në mbledhjen në fjalë merrnin pjesë: Enver Hoxha, Ramiz Alia (sekretar i KQ), Adil Çarçani (kryeministër), Besnik Bekteshi (zëvendëskryeministër), Harilla Papajorgji (kryetar i Komisionit të Planit). Udhëheqësit e Byrosë apo të Sekretariatit, të “gjithëditur”, diskutonin për gjithçka. Duke lexuar këto rreshta, kuptohet më mirë kush e ka drejtuar Shqipërinë.

 

Pjesë nga debati në Sekretariat

Shoku Besnik Bekteshi: Me gjithë dëborën e madhe…edhe me blegtorinë jemi mirë në këtë periudhë.

Shoku Adil Çarçani: Lindja e qengjave deri tani ka shkuar normalisht, dëmet kanë qenë të pakta.

Shoku Enver Hoxha: Tani që përmende qengjat, mu kujtua një emision që pashë mbrëmë në televizor. Paraqiste një tufë delesh e qengjash. Te kjo më bëri përshtypje numri i madh i deleve të zeza. Qengja dhe dele të zeza ka, por tek-tuk, kurse në atë tufë kishte shumë. Pse nuk i shtojmë ato? Kanë ndonjë ndryshim nga delet e bardha?

Shoku Adil Çarçani: Ndonjë ndryshim në prodhimtari ose cilësinë e qumështit e të mishit nuk kanë, por që kur janë shtuar racat e bardha, të zezat janë duke pakësuar.

Shoqja LenkaÇuko: Përmirësimi racor e ka prishur delen e zezë.

Shoku Enver Hoxha: Po e prishur ka qenë ajo, se gjithmonë rrallë ka pasur dele të zeza, kurse në tufën që paraqiti mbrëmë televizori, kishte shumë të tilla.

Shoku RamizAlia: Unë kur e pashë, mendova mos kishte ndonjë defekt gjatë transmetimit, aq të errëta ishin figurat në ekran, pastaj vura re që delet ishin të zeza.

Shoku Adil Çarçani: Në atë emision bëhej fjalë për tufën e Progonatit dhe më bëri përshtypje sa ishin rritur qengjat…Kooperativa bujqësore e Progonatit ka dalë me disa tregues jashtëzakonisht të mirë në blegtori, shoku Enver. Ata ju kanë dërguar një letër, me të cilën ju njoftojnë arritjet e tyre. Për këtë më tha në telefon, sekretari i parë i Rrethit të Tepelenës.

Shoku Enver Hoxha: Kam dhënë porosi t’u bëjnë ndonjë letër përgëzimi në emrin tim, se u vjen mirë lebërve.

Shoku Adil Çarçani: Mirë do ishte se e duan delen ata, janë të lidhur ngushtë me bagëtinë e imët, qengjat e kecat e vegjël i marrin dhe i mbajnë afër zjarrit derisa të kalojnë periudhën e vështirë pas lindjes, tamam si fëmijët.

Shoku Enver Hoxha: Posi, këtë e kanë në traditë ata.

/55news.al/

Më 21 shtator 1860 u nda nga jeta filozofi i madh gjerman Arthur Schopenhauer

Arthur Schopenhauer – Artur Shopenhauer (22 shkurt, 1788 – 21 shtator, 1860) ishte një filozof gjerman i njohur për pesimizmin e tij atheist dhe qartësinë filozofike. Në moshën 25 vjeçare, ai botoi disertacionin e doktoraturës, On the Fourfold Root of the Principle of Sufficient Reason, e cila ekzaminoi pyetjen themelore: A mundet arsyeja, e vetme, të japë përgjigjje mbi botën. Punimi më me ndikim nga Schopenhauer, The World as Will and Representation (Bota si Vullnet dhe Përfaqësim), theksoi rolin e motivimit themelor të njeriut, që Schopenhaueri e quan vullnet. Analiza e Schopenhauerit mbi vullnetin e çoi atë në përfundimin se dëshirat emocionale, fizike, dhe seksuale nuk mund të përmbushem kurrë. Si pasojë, Schopenhauer favorizoi një jetesë duke mohuar dëshirat njerzore, ngjashëm me mësimet e Budizmit dhe Vedantas.

Duke vijuar nga idealizmi i Immanuel Kant, Shopenhauer refuzoi filozofitë bashkëkohore post-Kantiane të idealizmit gjerman.[1] Instead, he developed an atheistic metaphysical and ethical system that has been described as an exemplary manifestation of philosophical pessimism.[2][3][4][5]

Shopenhauer ishte ndër mendimtarët e parë të filozofisë perëndimore që ndau dhe afirmoi parimet e rëndësishme të filozofisë lindore (p.sh asketizmi, bota si aparencë), pasi kishte arritur në konkluzione të ngjashme si rezultat i punës së tij filozofike.[6][7] Edhe pse puna e tij nuk pati vëmendjen e merituar gjatë jetës së tij, impakti pas vdekjes së Shopenhauer preku disiplina të ndryshme, duke përfshirë filozofinë, letërsinë dhe shkencën.

Analiza metafizike e Schopenhauerit mbi vullnetin, pikëpamjet e tij mbi motivimin dhe dëshirat njerëzore, dhe stili i shkrimit aforistik ndikoi te shumë mendimtarë të njohur, përfshirë Friedrich Nietzsche[8], Richard Wagner, Ludwig Wittgenstein, Erwin Schrödinger, Albert Einstein[9], Sigmund Freud, dhe Karl Kraus.

Bibliografi e zgjedhur

  • Of Women (Über die Weiber)
  • The Art Of Controversy (Die Kunst, Recht zu behalten). (bilingual)
  • Studies in Pessimism – audiobook from LibriVox.
  • The World as Will and Idea at Internet Archive:
    • Volume I;
    • Volume II;
    • Volume III.
  • On the fourfold root of the principle of sufficient reason and On the will in nature. Two essays:
    • Internet Archive. Translated by Mrs. Karl Hillebrand (1903).
    • Cornell University Library Historical Monographs Collection. Reprinted by Cornell University Library Digital Collections
  • Facsimile edition of Schopenhauer’s manuscripts in SchopenhauerSource

Referencat

  1. ^Arthur Schopenhauer, The World as Will and Representation, Vol. 1, trans. E. Payne, (New York: Dover Publishing Inc., 1969), Vol. 2, Ch. 50.
  2. ^ Arthur Schopenhauer (2004). Essays and Aphorisms. Penguin Classics. pp. 22–36. ISBN 978-0-14-044227-4. …but there has been none who tried with so great a show of learning to demonstrate that the pessimistic outlook is justified, that life itself is really bad. It is to this end that Schopenhauer’s metaphysic of will and idea exists.
  3. ^ Studies in Pessimism – audiobook from LibriVox.
  4. ^ David A. Leeming, Kathryn Madden, Stanton Marlan, ed. (2009). Encyclopedia of Psychology and Religion, Volume 2. Springer. p. 824. ISBN 978-0-387-71801-9. A more accurate statement might be that for a German – rather than a French or British writer of that time – Schopenhauer was an honest and open atheist.
  5. ^ Dale Jacquette, ed. (2007). Schopenhauer, Philosophy and the Arts. Cambridge University Press. p. 22. ISBN 978-0-521-04406-6. For Kant, the mathematical sublime, as seen for example in the starry heavens, suggests to imagination the infinite, which in turn leads by subtle turns of contemplation to the concept of God. Schopenhauer’s atheism will have none of this, and he rightly observes that despite adopting Kant’s distinction between the dynamical and mathematical sublime, his theory of the sublime, making reference to the struggles and sufferings of struggles and sufferings of Will, is unlike Kant’s.
  6. ^ See the book-length study about oriental influences on the genesis of Schopenhauer’s philosophy by Urs App: Schopenhauer’s Compass. An Introduction to Schopenhauer’s Philosophy and its Origins. Wil: UniversityMedia, 2014 (ISBN 978-3-906000-03-9)
  7. ^ B. R. Hergenhahn (2009). An Introduction to the History of Psychology (6th ed.). Cengage Learning. p. 216. ISBN 978-0-495-50621-8. Although Schopenhauer was an atheist, he realized that his philosophy of denial had been part of several great religions; for example, Christianity, Hinduism, and Buddhism.
  8. ^Addressed in: Cate, Curtis. Friedrich Nietzsche. Chapter 7.
  9. ^Albert Einstein in Mein Glaubensbekenntnis (August 1932): “I do not believe in freedom of will. Schopenhauer’s words, ‘Man can indeed do what he wants, but he cannot want what he wants’, accompany me in all life situations and console me in my dealings with people, even those that are really painful to me. This recognition of the unfreedom of the will protects me from taking myself and my fellow men too seriously as acting and judging individuals and losing good humour.”

Krimet e komunizmit – Kufoma e ushtarakut, tri ditë në mes të Shijakut, për të terrorizuar popullin

Fundi tragjik i ushtarakut antikomunist, i diplomuar në Torino: U vetëvra për të mos rënë në dorë të komunistëve, më pas u gropos buzë Erzenit.

 

I diplomuar në akademinë ushtarake të Torinos, në vitin 1936, Mustafa Deliallisi ishte ndër të paktët kuadro të shkolluar në perëndim, në Shqipërinë e viteve 1944. Kishte mbajtur detyrën e Rrethkomandantit të rekrutimit në Librazhd, Burrel. Pas pushtimit të Shqipërisë, ai kishte dhënë dorëheqjen nga të gjitha detyrat në ushtri, në vitin 1943. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Mustafa Deliallisi, u pozicionua kundër regjimit dhe krijoi çetën e tij kundër regjimit komunist, duke operuar për katër vite rresht. Mustafa Deliallisi dhe çeta e tij ishin në shënjestër të regjimit dhe për këtë, ishte ngarkuar grupi i forcave të ndjekjes, drejtuar nga Kadri Hazbiu. I rrethuar nga forcat e ndjekjes komuniste, në shtator të vitit 1948, Mustafa Deliallisi refuzoi të dorëzohej dhe ndërmori aktin ekstrem të vetëvrasjes, me qëllim që të mos binte në dorë të terroristëve komunistë.

Për ta kthyer në shembull terrori, për të gjtihë ata që do të guxonin t’i kundërviheshin regjimit, komunistët e morën kufomën e Deliallisit dhe e ekspozuan për tri ditë me radhë, në qendër të Shijakut. Më pas, e ngarkuan në një karrocë plehrash dhe e groposën buzë Erzenit. Eshtrat e ushtarakut të famshëm, ende nuk janë gjetur, me gjithë përpjekjet e familjarëve të tij, të cilët nuk kanë reshtur së kërkuari deri sot.

Marrë nga Kujto.al