VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve e Nju-Jorkut, SHBA: APEL PËR KRYEMINISTRIN E SHQIPËRISË, EDI RAMA

By | July 27, 2021
blank

Komentet

blank

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani takoi drejtues të institucioneve të sigurisë, EULEX dhe KFOR lidhur me situatën e sigurisë në vend

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka zhvilluar takime me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, shefin e Misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici.

Me të gjitha palët, Presidentja Osmani ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në vend. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova nuk është duke e provokuar situatën e sigurisë, përveçse duke zbatuar ligjin, teksa Policia e Kosovës është duke u kujdesur për sigurinë e të gjithë qytetarëve pa dallim. Ajo ka vlerësuar lart punën e Policisë së Kosovës, e cila po dëshmon profesionalizëm  në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin e saj se Serbia është burim i destabilizimit në rajon, duke ftuar Bashkësinë ndërkombëtare t`i kundërvihet përpjekjes së tillë, sikurse edhe diskursit nxitës, i cili burimin nuk e ka vetëm në Serbi, por edhe në Rusi.

Në rrjetin social Presidentja e Kosovës shkruan: “Sot kam pritur në takime të ndara institucionet e sigurisë në vend si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë nga KFOR dhe EULEX për të diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë.

Policia e Kosovës është në krye të detyrës duke treguar profesionalizëm dhe devotshmëri për t`i shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim.”
blank blank
blank

Pak fjalë për veten në përurimin e një libri – Nga EUGJEN MERLIKA

Frymëzuar nga historia e jetës së tij, intelektuali i spikatur nga shtresa e ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, shkrimtari, eseisti, publicisti e përkthyesi Eugjen Merlika sjell për lexuesin shqiptar “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare”, pjesë e kolanës “Scripta Manent” të botimeve UET Press.

Me një kulturë gjuhe ku shpërfaqet i spikatur formimi i tij intelektual dhe e gjithë përvoja e jetës në mjediset elitare të mendimit shqiptar, Eugjen Merlika sjell një tekst-traktat që sfidon historiografinë shqiptare.

Eugjen Merlika

Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare” është një endje e përfytyruar në periudha të ndryshme të së shkuarës sonë, një orvatje modeste për t’u përnjisuar me shpirtin e atyre kohëve nga një qytetar shqiptar i viteve njëzetë të shekullit  njëzetenjë. Është një përpjekje, sui generis, për t’u kthyer mbrapa me mendime, përsiatje dhe përfytyrime në shtigjet e thepisura të historisë sonë, pa marrë rolin e historianit, që koha dhe rrethanat shoqërore nuk ia bënë të mundur, edhe se shumë kohë të zotimit të tij ia ka kushtuar pikërisht asaj lamije të dijes njerëzore të cilën, me të drejtë, një i urtë I botës së lashtë, Mark Tul Ciceroni, e quante “mësuese jete”. Ky rrugëtim i përfytyruar bëhet nëpërmjet librave, dokumentave, letërkëmbimeve të cilët autori i ka qëmtuar me zell e dëshirë të fuqishme për të mësuar të vërtetën.

Ai ka pësuar në vetë të parë historinë e gjysmës së dytë të qindvjetorit të shkuar, atë që rëndom quhet “komunizmi shqiptar”apo epoka e “socializmit”, të dyja, sinonime të llahtarshme të një sistemi që mbante, për zgjedhje të krijuesve të tij, emrin “diktaturë e proletariatit”. E ka filluar ecjen e tij si një foshnje binjake e një viti, të shënuar më shumë për keq se për mirë në analet e historisë së gjatë të kombit të tij, vitit 1944. Ishte vetëm tre vjeç kur, i vulosur me nofkën e “armikut të klasës”, e filloi lundrimin së bashku me familjen, në një det të trazuar e të përshkuar nga rrufetë e pambaruara të “Zeusit” të saj, siç ishte Shqipëria e dalë nga lufta e Dytë botërore. N’atë lundrim i takoi të provojë, mes shumë të tjerave, “ gojëçthurjen e zyrtarit, vonimin e ligjës, përdhunën e krenarit dhe shkelmat që çdo vlerë zemërgjërë nga të pavlershmit merr…”, nëse do t’i lejohej të huazonte pak fjalë nga vetëbiseda e Princit të Danimarkës. N’atë shtegtim të vazhduar, të shoqëruar gjithmonë nga syri “vigjilent” i Sigurimit të Shtetit shqiptar, njohu dhjetëvjeçarë internimi e pak vite burgimi, të cilëve, fatmirësisht u mbijetoi me varrat e Gjergj Elez Alisë në shpirt….

Libri, që sot përurohet këtu, është prodhimi i një të mbijetuari që, me gjithë synimin e mbrapshtë të sunduesve të regjimit komunist, u gjend në një ditë fatlume të jetës së tij, jashtë hullisë ogurzezë në të cilën ishte zhytur prej afër gjysmë shekulli, në një Vend të huaj, por që ishte Vendi në të cilin kishte lindur dhe ishte rritur nëna e tij. Vazhdoi rrugëtimin në Italinë fqinjë, me vullnetin për të çuar përpara një familje, ku fëmijët nuk duhej të përsërisnin përvojën e tij. Në lirinë që i jepte Vendi mikpritës, ata duhej të studionin e të ndërtonin jetën e tyre simbas aftësive, vullnetit e zotimit madhor të tyre. Ata e kryen atë detyrë, karshi vetes së pari, karshi prindërve që vazhduan të flijoheshin në punët e tyre të rëndomta, për të plotësuar nevojat më të ngutëshme të familjes. Ata ecën drejt në jetën e tyre e ajo ecje qe kënaqësia më e madhe që shkruesi i këtyre radhëve mori nga jeta, mbas gati një gjysmë shekulli mohimesh të thella njerëzore, të pësuar nga një sistem mizor që mbështetej vetëm në dhunën, shtypjen, mashtrimin e çdo lloj përdhunimi të të drejtave më parake njerëzore.

Me pak fjalë, kjo qe historia e jetës s’autorit të këtij libri. Është munduar të paraqesë pjesë të njohura e më pak të njohura të së vërtetës jetësore shekullore të të parëve të tij. Ka trajtuar personazhe të njohur e më pak të njohur të historisë sonë, me një vëmendje të veçantë kundrejt personaliteteve të shquar të dy perandorive më të mëdha të kohëve, Romës e Bizantit. Kishin një veçanti ata personazhe që sendërtuan ato histori, ishin me prejardhje ilire, ishin përfaqësues të të parëve tanë, që zotëronin të gjithë hapësirën e Ballkanit e shtriheshin edhe më gjerë. Megjithëse për 230 vite, të marra së bashku, ata punuan për Romën e Bizantin, nëpërmjet veprimtarisë së tyre shpalosën gjallërinë e forcën e popullit të tyre. Në këtë drejtim ata pasqyrojnë dhe historinë e bëmat e atij populli.

Autori ndalet në epokën e Skënderbeut e të “shekullit të madh”, në kahun e fljimit të domosdoshëm që koha e lavdisë detyroi mbi gjinden arbërore, për mbijetesën e saj e mbrojtjen e vlerave të Krishterimit, n’Evropën mosmirënjohëse në shumë shekuj për fatet e Shqipërisë. Por mbi të gjitha, autori ndalet në trashëgiminë e vlerave që Skënderbeu dhe epoka e tij i lanë kombit shqiptar në tërësinë e tij.

“Lidhja e Prizrenit” është një tjetër kapitull i këtij libri në të cilin autori është munduar të nxjerrë në pah orvatjen e parë të madhe të shqiptarëve për të krijuar kombin, që shumë faktorë johenikë e penguan në përvojën e shekujve. Lidhur me këtë ngjarje madhore trajtohet edhe një material shumë me interes, një letër e popullit të Shkodrës drejtuar kryeministrit të Britanisë së Madhe, një dokument i vlefshëm, por i patrajtuar nga historiografia zyrtarie.

Një trajtim të veçantë në “Ravgimet e lira në shtigjet e historisë shqiptare” zë  shekulli i njëzetë, më i ndërlikuari i gjithë historisë së tij. Është shekulli i krijimit të Shtetit të pavarur dhe i fillimit të pafund të politikës shqiptare, që pati si veçori dalluese dasitë e mungesën e vullnetit politik për një dialektikë pohenike në shërbim të interesave të vërteta të Shqipërisë. Është shekulli i copëtimit të trojeve, i Shqipërisë së rrudhur në maksimum në kufijtë e saj, i luftës së Parë Botërore, me pushtimet tërësore të tokave të saj.

Është shekulli i Qeverisë së parë të Shtetit të pavarur, një qeveri e tradhëtuar nga ministrat e saj që shkuan në shërbim të Esat Pashë Toptanit. Është shekulli i përballimit të dy prirjeve kryesore të mendimit politik e institucional, mes kërkesave për perëndimorizimin e jetës politike e shoqërore e frenimit të tij nga mjedise turkofile, e përvojës së dështuar të të vetmit princ nga Evropa në krye të Shtetit shqiptar. Është shekulli i luftërave botërore, i Evropës mes luftërave e i përpjekjes së Ahmet Zogut për të ndërtuar një Shtet të qëndrueshëm. Është shekulli i pushtimit fashist, i ribashkimit të trojeve shqiptare në vitet 1941 – 44, i të vetmit parlament mbarëshqiptar, i daljes në skenë të lëvisjes komuniste, të drejtuar nga të dërguarit e komitetit qëndror të PKJ, i luftës civile, i përpjekjeve të pafrytshme të kombëtarizmit shqiptar për të mbrojtur Shqipërinë e bashkuar, i fitores së Frontit nacional – çlirimtar, me tradhëtinë e ëndrrës kombëtare të shqiptarëve e, së bashku me të, të lirisë së tyre.

Autori, nëpërmjet hulumtimit, dokumentave e shkrimeve të ndryshme të shfrytëzuara, është orvatur të hedhë dritë mbi çastet më t’errëta të historisë bashkëkohore që, fatkeqësisht, prej tetëdhjetë vitesh i shërbehet shqiptarëve jo nëpërmjet së vërtetës, por kritereve të historiografisë së diktaturës. Për të ndihet si detyrë morale kulturore të shprehë në veprën e tij mendime e fakte historike që nuk përputhen me të, që synojnë të rivendosin të vërtetën historike, të varrosur prej gati një shekulli.

Është kritik autori edhe për periudhën 1990 – 2021, atë të “demokraturës”, siç i pëlqen atij t’a quajë, duke huazuar një term të një publiçisti të njohur ballkanas.

Sot ky libër i kalon lexuesve, me shpresë se do të gjejë mirëkuptim, sidomos tek të rinjtë që, krahas interesave për realizimet e shumta të teknikës bashkëkohore e shfaqjeve të saj të papërfytyrueshme, është mirë të kthejë vështrimin edhe nga e shkuara e prindërve të tyre, të cilët janë përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria e sotme, që nuk është më shumë mikpritëse se ajo e vitit 1990, e mërgimit biblik të shqiptarëve t’atyre viteve. Ndoshta secili prej nesh do të ndjejë nevojën për të bërë një mea culpa, në thellësi të ndërgjegjes për atë gjëndje….. /Gazeta Liberale

blank

Eugjen Merlika, i huaji – Nga Suadela Balliu

Eugjen Merlika, i huaji në vendin e tij, i dënuari pa faj, i kthyer  në të mbijetuarin që përpiqet të zbardhë atë pjesë të historisë së vonë shqiptare,  ende të pa paqtuar me shpirtrat që vuajtën dhe humbën në regjimin diktatorial

Një fëmijë, as trevjeçar mbërthehej në kangjellat e burgut dhe thërriste me dëshpërim… “Babi eja, eja me ne!  I ati  nuk mund t’i kalonte dot kangjellat, ndërsa policët e largonin të voglin nga dashuria atërore për ta hedhur në një jetë të egër, tragjike, absurde, surreale.

Ishte viti 1947; do ta linte shtëpinë e tij e bashkë me të ëmën do të zhvendosej në Shijak, më pas në Krujë dhe më në fund drejt kampit infernal të Tepelenës.

Gjatë gjithë jetës e shoqëroi ajo nuancë blu tmerri  e uniformave të policisë, që e bënë të ndihej i huaj në vendin e tij,  në një realitet që nuk i përkiste, që e refuzonte, që e urrente.

Ishte shënjuar gjatë nga etiketimi “armik i klasës”…

Në një prej auditorëve të Universitetit Europian të Tiranës, argjendi i  flokëve, skeleti i pangatërrueshëm i gjyzlykëve dhe kostumi i përhimë, shoqëruar me tonin e qetë bisedor e bëjnë të duket si një englishman i ardhur aty nga e shkuara.

Sojli, do ta cilësonte një prej pedagogeve të UET, të cilin vuajtjet e tmerrshme të diktaturës nuk mundën t’ia fshinin fisnikërinë.

Ka ardhur nga Italia, ku jeton prej fillim viteve ’90, për të promovuar librin e tij të fundit “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare”, një endje e përfytyruar mes fakteve, personazheve dhe konteksteve historike.

Është i disati bashkëpunim me shtëpinë botuese “UET PRESS”, ndërsa më parë ka sjellë atë pjesë të historisë së përjetuar në lëkurën e tij, si i mbijetuar i kampeve fatkeqe të diktaturës.

Nipi i kryeministrit Mustafa Kruja, i biri i dy prindërve të shkolluar në Grenoble të Francës dhe Napoli të Italisë, u kthye në intelektualin selfmade që përpiqet të sjellë trashëgiminë e të gjyshit, figurë e zhytur në terrin e historiografisë komuniste, si kreu i qeverisë së dytë kolaboracioniste në Shqipëri.

Mban mend se qe në klasën e gjashtë të shkollës, kur një shoqe shkroi me shkronja të mëdha emrin Mustafa Kruja. Mësuesi u vrenjt kur e pa dhe i qortoi fëmijët, të mos merreshin me çështje të tilla politike. Por variantin tjetër për të gjyshin, atë ndryshe nga ajo që shkroi dhe vulosi regjimi komunist, e  mësoi gjatë adoleshencës, në vitin e maturës. Të plotë e mësoi historinë, kur i ranë në dorë materialet që i pat lënë trashëgimi Mustafa Merlika Kruja.

Ai u nda nga jeta në mërgim, në Ujëvarat e Niagarës, më 1958-n, ndërsa bijtë e tij e familjarët, vuajtën dënimin në burgje e kampe. Për Eugjenin, i gjyshi ishte firmëtari i  Pavarësisë, atdhetari që bëri shumë për kauzën shqiptare dhe intelektuali, historiani e publicisti që dha shumë për gjuhën e kulturën shqipe.

Eugjen Merlikës  iu mohua e drejta e studimeve. Ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, kur uniformat blu e larguan nga shkolla. Ato ditë nëntori, do të qe edhe dita  e fundit e studimeve të Eugjen Merlikës e paskëtaj niste odiseja e gjatë e një jete si punëtor krahu, herë në bujqësi  e, në rastet më të mira, si murator.

Kishte parë të ëmën të ngarkohej me barrën e druve mbi shpinë, por pa e  përkulur kryelartësinë e me po atë papërkulshmëri u printe kryengritjeve brenda kampit të Tepelenës. Kishte parë të atin, Petrit Merlika, inxhinierin e talentuar elektrik  që u detyrua të punonte si tornitor, pasi përfundoi 15 vitet  e gjatë të dënimit me burg.

Prodhim i një të mbijetuari, e cilësoi librin e tij të fundit zoti Merlika, i cili në rrëfimet e tij të mëhershme në libra si “Një jetë në diktaturë –Kujtimet e një armiku të klasës”, zbulonte sesi pat jetuar në kasolle kashte e balte që i pat ndërtuar vetë, në atë jetë monotone e privimesh ku nuk ndodhte asgjë.

“U gjend një ditë të bekuar jashtë hullisë ogurzezë të ecjes së tij në një vend të huaj, por që ishte vendi në të cilin kishte lindur dhe ishte rritur nëna e tij”, fliste në vetën e tretë Merlika për përvojat e jetës së tij, pas rënies së regjimit komunist.

Në gusht të 1991-shit, bashkë me të ëmën, arbëreshen Elena Gjika e cila e kishte lënë Italinë për dashurinë e të shoqit, u vendos përtej detit për të nisur një rrugëtim të ri atje.  Me vullnetin për të çuar përpara një familje, rrëfen Merlika. Aty ku fëmijët nuk duhet të përsërisnin përvojën e tij, por në lirinë që i jepte vendi mikpritës, të mund të studionin e të jetonin jetën e tyre sipas aftësive, vullnetit e zotimit madhor të tyre. Edhe në shtetin fqinj u detyrua të bënte punë krahu, por kësaj here jo si “armik i klasës” në fshatrat e internimit, por për të siguruar studimet e të bijve.

“Ata ecën drejt në jetën e tyre dhe ecja e tyre qe kënaqësia më e madhe që koha më dha mbas gati një gjysmë shekulli privimesh të thella njerëzore të pësuara nga një sistem mizor që mbështetej vetëm në dhunën, mashtrimin dhe shtypjen e çdo lloj mohimi të të drejtave njerëzore”, thotë Merlika.

Jeta e tij 47 vjeçare, deri në ditwn kur u largua drejt Italisë, ishte shënjuar nga absurdi.

“Nuk jetuam, ne mbijetuam si reptilë që zvarriten në kërkim të një qoshke të sigurt”, thotë në librin “Një jetë në Diktaturë” Merlika. “Kemi humbur vitet më të mira duke çarë malet që duhet të bëheshin si pllaja”, vijon ai.

Gjatë shërbimit ushtarak, me përvojën që kish marrë si murator nisi të punonte në repartin e ndërtimit të banesave. “E kreva shërbimin ushtarak pa bërë asnjë qitje, dhe sot e kësaj dite nuk kam shtënë asnjëherë me armë”, rrëfen ai në librat e tij.

Ai ka sjellë për lexuesit rrëfime të dorës së parë, por edhe publicistikë si “Thinjat e Atdheut” apo  “Demokratura Shqiptare”, ndërsa në librin e fundit paraqet pjesë të njohura dhe të panjohura të realitetit shekullor të të parëve. Ka trajtuar persona të njohur e më pak të njohur të historisë sonë, me një vëmendje të veçantë kundrejt personaliteteve të dy perandorive më të mëdha të kohës së Romës dhe Bizantit. Nuk mungon as shekulli i XX, ku autori nëpërmjet hulumtimeve dhe shkrimeve të ndryshme, është përpjekur të hedhë dritë mbi çastet më të errëta të asaj pjese të historisë. Sipas Merlikës, kjo pjesë e historisë u serviret  shqiptarëve jo nëpërmjet të vërtetës, por klisheve të historiografisë së diktaturës.

I zhgënjyer pranon se nuk ka ende një shkëputje totale e të njëmendë nga e shkuara. Brezi i këtyre tridhjetë viteve ka dështuar, pranon me trishtim Merlika.

Sot, në moshën 77- vjeçare, i linduri më 1944-n – kohë që shënjoi historinë e trishtë të Shqipërisë që sipas tij  do të shkruhej ndryshe po të mos qe në krye Enver Hoxha – e ka një tis prej të huaji.

Jo ai i huaji në vendin e tij, i dënuar qysh në moshën trevjeçare pa i bërë të keqe askujt, por me tonin e shtruar bisedor,  pa atë agresivitetin verbal tipik shqiptar veçanërisht të dekadave të fundit.

“Vendi im, bijve të tu më të mirë nuk u ke dhënë kurrë mundësinë për të të shërbyer, u ke dhuruar atyre flatra për të fluturuar lart, por nën qiej të tjerë”, shkruan në një bisedë imagjinare me Atdheun, në një prej librave të tij Eugjen Merlika. Me atë atdhe që gjatë jetës së tij e pa si të ishte qenie me dy shpirtra…Një të uniformave të pandashme blu dhe tjetri i solidaritetit të njerëzve të thjeshtë. /Gazeta Liberale

 

blank

INSTAT: Fëmijët shqiptarë të varfër, mbi 97% e familjeve nuk u plotësojnë standardet për ushqim dhe për veshje

Vitet e fundit, INSTAT ka nisur të publikojë treguesit e varfërisë dhe privimit material të fëmijët nën 16 vjeç.

Metodologjia e matjes së këtij treguesi është ndërtuar bazuar në metodologjinë e Bashkimit Europian ku matet disponueshmëria e 13 treguesve që kanë të bëjnë me të veshurit dhe të ushqyerit normal.

Ekspertët e INSTAT, Majlinda Nesturi dhe Blerta Muja, në një studim të tyrin që nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të INSTAT gjetën, se mbi 97% e familjeve nuk mund të plotësonin normat në veshje dhe ushqim standard për fëmijët deri në 16 vjeç (shih grafikun bashkëngjitur).

Ekspertët i morën rezultatet e privimit material për fëmijët në pyetjet në nivel familje dhe u morën përgjigje nga të anketuarit e familjeve për të gjithë fëmijët anëtarë të asaj familje, nën 16 vjeç për të paktën 13 zëra si më poshtë:

1.Kanë disa rroba të reja (jo të përdorura);
2.Kanë dy palë këpucë të përshtatshme (ku futen një palë këpucë për çdo kohë);
3.Hanë fruta dhe perime një herë në ditë;
4.Hanë një vakt mish, pulë ose peshk (ose ekuivalentin për vegjetarianët) të paktën një herë në ditë;
5.Kanë në shtëpi libra të përshtatshëm për moshën e tyre;
6.Kanë pajisje argëtimi për jashtë shtëpisë (biçikletë, patina, etj.);
7.Kanë lojëra për brenda shtëpisë (lodra edukuese për foshnje, kuba ndërtues, lojëra tavoline, lojëra kompjuterike, etj.);
8.Kanë një vend të përshtatshëm për të studiuar ose për të bërë detyrat e shtëpisë;
9.Marrin pjesë në një veprimtari të rregullt argëtuese (not, i bien një vegle muzikore, organizatë rinore, etj.);
10.Kanë festime në raste të veçanta (ditëlindje, ditë emri, ngjarje fetare);
11.Ftojnë miq në shtëpi për të luajtur ose për të ngrënë herë pas here;
12.Marrin pjesë në udhëtime dhe organizime shkollore me pagesë;
13. Shkojnë për pushime larg shtëpisë të paktën një javë për çdo vit, që përfshin qëndrimin në një vend tjetër ose te miqtë/të afërmi

Për secilin nga zërat u gjet se mbi 90% nuk mund t’i plotësonin, por hendeku më i lartë u vu re në mundësinë për t’i veshur me rroba të reja.

Gati 99,9% e familjeve pohuan se nuk plotësojnë pothuajse të gjitha nevojat e fëmijëve me rroba të reja. 99.9% e familjeve pohuan se fëmijët e tyre kanë nevoja të paplotësuar për së paku dy palë këpucë ose sandale të përshtatshme. 99.1% e familjeve pohuan se e kanë të pamundur që të ushqejnë më mish së paku një herë në ditë fëmijët e tyre. 99% e familjeve më fëmijë kanë pohuar se nuk plotësojnë nevojat./Monitor

blank

Rama: Takimi i përbashkët mes dy qeverive do të zhvillohet javën e fundit të muajit nëntor, në Durrës

Kosova dhe Shqipëria do të zhvillojnë mbledhjen e radhës mes dy qeverive. Nga Prishtina, gjatë konferencës me kryeministrin Albin Kurti, pas takimit me të, kryeministri Edi Rama zbuloi se takimi i përbashkët mes dy qeverive do të zhvillohet javën e fundit të muajit nëntor, në Durrës.

“Në javën e fundit të nëntorit, do të mbajmë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, në Durrës, dhe do të punojmë intensivisht për të bërë gjithë skanimin e marrëveshjeve dhe për të vendosur pikat mbi i për të gjitha vendimmarrjet e mbledhjeve të dy qeverive”, tha Rama.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi se “U dakorduam që të kemi edhe një sekretariat për marrëdhëniet tona bilaterale, që të udhëhiqet nga Gentian Sala”, ndërsa Rama vlerësoi figurën e këtij të fundit, duke thënë se është njeri i besuar i të dy kryeministrave.

“Mund t’iu them se jemi vërtet të motivuar plotësisht të angazhuar, bashkërisht, gjë që ishte shumë e qartë dhe në takim, që këto marrëdhënie të shkojnë në një nivel tjetër dhe që gjithë ato marrëveshje të zbatohen, ashtu si dhe të tjera çështje të shtrohen për zgjidhje dhe të zgjidhen. Sot kemi dakordësuar për vendosjen e një personi kyç, si koordinator i kësaj përpjekjeje të përbashkët, që do të jetë i lidhur direkt me zyrat tona respektive, që ka dhe dy pasaporta, që gëzon besimin e plotë të të dyve ne, dhe jam i bindur që do të jetë një ndihmë për të mos lejuar që burokracia të bëjë atë që është mësuar të bëjë gjithmonë.

Unë dhe delegacioni jonë jemi sot këtu dhe kjo është vizita e parë zyrtare, për të shprehur dëshirën maksimale që marrëdhëniet mes dy qeverive tona të jenë fakt i domosdoshmërisë për t’i lidhur edhe më fort këto dy vende”, shtoi kryeministri shqiptar.

Sa i takon tensioneve në kufi për reciprocitetin e targës, Rama deklaroi se “Dua ta përsëris qëndrimin tonë se tani që problemi është shtruar dhe askush nga miqtë e Kosovës nuk e diskuton domosdoshmërinë e konsolidimit të reciprocitetit të targës, duhet bërë kujdes, që të mos kthehet në problem mes Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës. Ne ndajmë bindjen që problemi duhet zhvilluar me dialog, duke shmangur konfliktin.

Natyrisht që edhe këtu duhet të jemi shumë të qartë se i takon qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës, se si do të vijojnë më tej për këtë situatë kaq delikate, por them se kjo është një mundësi e mirë për të treguar gatishmërinë për dialog të barabartë dhe për të çuar dialogun në një nivel të ri”.

blank

Kurti: Buldozerët e vendosur nga serbët janë për të sulmuar policët kufitarë, Njësia Speciale po i mbron ata

Kryeministri Albin Kurti ka pritur me ceremoni shtetërore, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, raporton Gazeta Express.

Me këtë rast, Kurti dhe Rama pas takimit janë deklaruar për media.

Kryeministri Albin Kurti ka folur për situatën në veri.

Kurti ka thënë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po qëndron në Bërnjak dhe Jarinjë në mënyrë që të mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitarë.

Ai ka deklaruar se buldozerët e vendosur në rrugë nga ana e serbëve janë për të sulmuar policët kufitarë në rast se ata janë të vetmuar.

“Njësia Speciale e Republikës së Kosovës nuk është në Bërnjak dhe Jarinjë në mënyrë që ne të kënaqemi t’i gëzohemi kësaj situate. Ata aty janë me detyrë dhe detyra e tyre është që të mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitarë. Ne kemi mjaftueshëm indikacione se po të mos ishte Njësia Speciale e policisë së Kosovës në Bërnjak dhe në Jarinjë, policët tanë kufitarë dhe godinat aty do të ishin të rrezikuara seriozisht. Bllokimi i rrugëve magjistrale që shpiejnë në Jarinjë dhe në Bërnjak nuk është bërë vetëm me barrikada prej mauneve dhe njerëzve por edhe me buldozër. E ata buldozer sigurisht që nuk janë për të bllokuar rrugë sa janë për të sulmuar në rast se policët kufitar do të ishin të vetmuar”, ka deklaruar ai.

Kurti ka treguar se sot bashkë me ministrin e Brendshëm kanë takuar edhe komandantin e përgjithshëm të KFOR’it dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet ndërkombëtare në Kosovë dhe përfaqësuesit e tyre diplomatik.

Ai ka thënë se i kanë bërë ofertë Serbisë që të largojnë targat e përkohshme të dy palët.

“Ne kemi bërë një ofertë me të cilën kemi thënë se nuk ja vlenë të kemi targa të përkohshme edhe Republika e Kosovës edhe Republika e Serbisë, po i heqim ato të dy palët dhe besoni pakrahësimisht më shumë kanë arsye shqiptarët që të ju pengoj targa e Serbisë që i ka 4 S në cirilikë e të cilën keni mundur ta gjeni në shumë shtëpi të rrënuara gjatë luftës e madje edhe të bërë me thikë në gjokset e shqiptarëve, se sa që do të duhej të ja vriste sytë harta e Kosovës serbëve në Serbi. Mirëpo ne kemi thënë po i heqim targat e përkohshme, ata le të vinë lirisht, ne po shkojmë lirishtë dhe qarkullimi i lirë, lëvizja së mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit të jetë sa më e kollajshme dhe pa asnjë vonesë”, ka theksuar ai.

Tutje Kurti ka thënë se mbi 10 mijë automjete që kanë ardhur nga Serbia kanë marrë tashmë targat e përkohshme në Kosovë.

blank

Rama: Kosova ka të drejtë për targat

Konferenca e përbashkët mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti. Prishtinë, 27 shtator 2021.

RFE/RL

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një vizite në Kosovë, e ka dënuar sjelljen e Serbisë karshi vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet lidhur me targat për automjetet.

Rama pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti tha se qëndrimi i Shqipërisë është i qartë karshi problemit në dy vendkalime kufitare Kosovë-Serbi.

“Sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Ato manovrat nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovës, siç pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar”, tha Rama.

Këtë koment ai e ka bërë pas raportimeve se ditëve të fundit aeroplanë ushtarakë të Serbisë kanë fluturuar afër pikëkalimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Mediat në Serbi kanë raportuar për lëvizje të ushtarëve dhe mjeteve tjera ushtarake në drejtim të kufirit me Kosovën.

Kryeministri Rama po ashtu ka dënuar incidentet e djegieve të qendrave të regjistrimit të veturave në veri të Kosovës.

Rama po ashtu ka thënë se problematika e tanishme mund të zgjidhet “vetëm me dialog”.

“E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Serbia nuk ka asnjë drejtë t’i kthejë targat në një përditshmëri konfliktuale ku mizën po e bën buall a thua se Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë”, tha Rama.

Ai i bëri thirrje edhe Kosovës që të mos krijojë probleme me miqtë ndërkombëtarë përmes mbajtjes së njësive speciale të Policisë së Kosovës në kufi.

Rrugët drejt vendkalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak janë bllokuar nga serbë lokalë me kamionë e mjete të tjera të rënda në shenjë proteste ndaj vendimit për reciprocitet lidhur me targat e automjeteve.

Protestat filluan kur Prishtina vendosi që të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Prishtina ka thënë se një gjë e tillë praktikohet për vite me radhë nga Beogradi.

blank

SHBA: Po punojmë që të ulen tensionet mes Kosovës dhe Serbisë

Flamuri i SHBA-së dhe i Kosovës. Fotografi ilustruese.

Shtetet e Bashkuara po punojnë që të ulen tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

“SHBA-ja po punon me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në shtensionimin e situatës dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, që vënë në rrezik përparimin e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha zëdhënësi i DASH-it.

SHBA-ja tha se në takimet e ftuara nga Brukseli, që do të mbahen gjatë javës së ardhme, do të marrë pjesë edhe Zëvendësndimës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar.

“SHBA-ja vazhdon të mbështesë bashkëpunimin e ngushtë rajonal për të eliminuar të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë, të tregtisë dhe investimeve që janë në dobi të të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, tha zëdhënësi i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Më herët gjatë të dielës, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell bëri të ditur se gjatë ditëve në vijim, kryenegociatorët e Kosovës janë pajtuar që të takohen në Bruksel, ku do të diskutohet për çështjen e lirisë së lëvizjes. Ai ka thënë se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja platformë për të adresuar çështjet e hapura mes palëve.

Që prej vendosjes së masës së reciprocitetit për targat e Serbisë, më 20 shtator, tensionet janë rritur në veri të Kosovës, ku qytetarët serbë po kundërshtojnë këtë masë. Ata kanë bllokuar me makina dhe mjete të tjera rrugët që çojnë për në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Prishtina ka thënë se një gjë e tillë praktikohet për vite me radhë nga Beogradi.

Më 25 shtator, dy incidente janë shënuar në dy komuna në veri të Kosovës. Në Zubin Potok është djegur Qendra për Regjistrimin e Automjeteve, ndërkaq në Zveçan është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil. Kosova ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa këtyre dy incidenteve.

blank

O Pasha mblidhi qentë dhe zagarët! Nga Maestro Bujar Llapaj Letër e hapur Zotit Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Letër e hapur
Zotit Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
.
Nga disa portale private, jo media publike zyrtare apo “të pavarura” se janë të zëna me ngjyrën e brekëve të “Violetave të kohës tonë”, më saktë të “kohës tënde”, mësova se kompozitorit tonë të nderuar e respektuar Limos Dizdari shteti i ka prerë ujin dhe korentin për ta detyruar të braktisë atë Oaz Artistik që ngriti në Ksamil.
.
A e meriton Ai dhe Adriana Dizdari këtë trajtim?
.
Edhe pse ajo tokë mund të ketë një ish-pronar, ka qenë një ligj që ndalonte kthimin e pronës atje ku janë bërë godina kulturore. Por edhe sikur këtë ligj ta keni çbërë pse duhet trajtuar i diferencuar nga legalizimi një qëndër kulturore kur ju po legalizoni kolibe në toka të zaptuara rishtas.
.
Çdo të ndodhte sikur fshati im i lindjes, “Asim Zeneli” t’ju kthehej ish-pronarëve? Sipas ligjit 7501, aq të dashur për të gjithë ju pushtetarët, “toka i takon atij që e punon”, edhe Qendra Kulturore Dea i takon kompozitorit Limos Dizdari i cili shiti shtëpinë private për të ngritur një qëndër arti ku qindra fëmijë kanë shkelur atë skenë të vogël por magjike!
.
Sikur në Shqipëri të ishte respektuar e drejta e autorit prof. Limos Dizdari nuk do të kishte nevojë për “mëshirën” e pushtetit. Ai mund të ngrinte saraje më të mëdha se tuajat. Limos Dizdari i “Këputa një gjethe dafine” “Mësonjtorja”, etj nuk është as hajdut, as zaptues, Ai,si shumë artistë shqiptarë, është i vjedhur nga shteti.
.
O Pasha mblidhi qentë dhe zagarët!
Si Edi Rama, mund të mos të të pëlqejë muzika e Limos Dizdarit, por si kryeministër i Shqipërisë e ke për detyrë të respektosh çdo njeri që ka krijuar vlera në atë vend.
.
Uroj dhe shpresoj që qënia jote si Kryeministër për të tretën herë radhazi të të sjellë qetësi dhe më shumë arësye për të zbutur brenda teje arrogancën e inatit për ata që nuk të bëjnë fresk tre herë në ditë.
.
I Juaji,
Bujar Llapaj
blank

Votimi për sovranitetin e Kosovës 1991 – Nga ALBIN KURTI

Para 30 vitesh, në shtatorin e vitit 1991, me vullnetin e popullit dhe aspiratën për liri, Kosova bëri hap historik kah vetëvendosja.
Ndërmjet 26 dhe 30 shtatorit 1991, me guxim të pashembullt, 87 për qind të votuesve të Kosovës, dolën masivisht në referendumin për pavarësi dhe me shumicë absolute votuan për Kosovën shtet të pavarur e me të drejtë të vetëvendosjes.
Kjo ishte një ngritje e rëndësishme për avancimin institucional statusor, në funksion të zgjidhjes së drejtë të çështjes së Kosovës.
Referendumi erdhi si rrjedhojë e një sërë ngjarjesh të ndodhura pas ardhjes së Millosheviqit në krye të Serbisë, i cili rindezi nacionalizmin serbomadh dhe në vitin 1989 suprimoi autonominë e Kosovës.
Në këtë përvjetor jubilar, kujtojmë me krenari dhe u jemi thellësisht mirënjohës të gjithë atyre burrave e grave që u organizuan për Referendumin e 91-tës, këtë akt të rezistencës dhe lirisë, ndërmarrje e vështirë dhe me shumë rrezik për kohën, e një ndër themelet e Republikës.
blank
blank

Borell thirrje Kosovës e Serbisë: Hiqni menjëherë Policinë Speciale dhe barrikadat

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të largojnë menjëherë policinë speciale dhe barrikadat në veri të Kosovës.

Borell është shprehur se po vazhdon të ndjekë nga afër situatën në veri të Kosovës dhe se sipas tij, është i papranueshëm çdo provokim i mëtejshëm ose veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara.

“Unë vazhdoj ta ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet të de-përshkallëzojnë pa kushte situatën në terren, duke tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke çmontuar postblloqet. Çdo provokim i mëtejshëm ose veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje për të zbutur situatën dhe për të rënë dakord për rrugën përpara, ndaj edhe siç ka thënë ai, të dy shtetet do të jenë përgjegjëse për çdo rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve lokale.

“BE do t’i mbështesë në mënyrë aktive këto përpjekje. Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë janë plotësisht përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve lokale si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. E theksova këtë në thirrjet e mia me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Kurti këtë javë”, ka theksuar ai.

Borell ka thënë më tej se dialogu i lehtësuar nga BE-ja vazhdon të jetë platforma e vetme për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura midis palëve, përfshirë ato që lidhen me lirinë e lëvizjes dhe targat.

“Të dy kryenegociatorët që vijnë në Bruksel ditët në vijim është hapi i parë pozitiv. Thelbësore është që ata të vijnë me një mandat për të diskutuar rrugën përpara dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme që janë në interes të qytetarëve. Ne e përsërisim që ne presim që Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve të tyre. Kjo është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, e cila është e nevojshme që të dy të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, ka shtuar ai.

Borell ka thënë se është në kontakt të ngushtë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, të cilin e falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer mes KFOR -it dhe EULEX -it.
“KFOR luan një rol kyç në mbështetjen e stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.

blank

Stoltenberg: Bisedova me Vuçiç dhe Kurtin, Beogradi dhe Prishtina të përmbahen

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jans Stoltenberg njoftoi se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Stoltenberg tha se është jetike që Prishtina dhe Beogradi të përmbahen dhe t’i kthehen dialogut.

“Bisedova me Aleksandar Vuçiç dhe Albin Kurtin për nevojën e de-eksalimit në veri të Kosovës. Është jetike që edhe Beogradi edhe Prishtina të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i KFOR -it mbetet të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, shkroi Stoltenberg në Twitter.

Stoltenberg
Stoltenberg

Të shtunën, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, të cilat nuk kanë shpërthyer.

Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dje e ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.

Më herët gjatë të shtunës, kryeministri Albin Kurti deklaroi se dy sulmet në veri, ishin të qëllimshme.
“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, tha Kurti.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dje tha se përkundër veprimeve të tilla, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë vendimin për masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, në tërë territorin e Kosovës.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.

Lidhur me situatën kanë reaguar edhe liderët opozitarë, të cilët sot janë takuar me kryeministrin Kurti për ta ofruar mbështetjen e tij në mbrojtjen e sovranitetit të vendit.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend