VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Adriana Dine – Rrëfim për fëmijën tim: Ai qante gjithë kohës pa zë, ashtu në heshtje

By | April 11, 2019

Komentet

BISEDIMET E KSHILLIT KOMBTAR – LEGJISLATURA E PARË – Mbledhja e 57-të – Nga MUSTAFA KRUJA

 

Mbledhja e 57-të E mërkurë, me 5 tetuer 1921, ora 3 mbas dreke

 

  1. Luigj Gurakuqi : Nuk due me përsëritë shka thashë mâ parë, por sikur t’ishte se pratikantat mund të çilshin sa herë të dojshin, e ku të dojshin farmacina, nuk do t’ishte nevoja qi njerëz qi duen të bâjnë këtë profesion të bâjnë 17 vjet shkollë fillore, gjimnaz dhe universitet, e për pos edhe dy vjet praktikë për me mujtë me çilë nji farmaci. Sikur t’ishte po them se me pak kohë praktikë mund të bâhet nji njerí farmacist, atëhere degët e kësaj profesonije do të mbushen me djelm rrugash, të cilët mbas 10 vjetësh do t’u paraqitshin para komisionit e do të merrshin lêjen, jo për me mjeshtërue profesionin po për me bâ tregëtí. Pra them edhe nji herë të heqi pak keq populli e të përkrahim ditunín, t’i japim shkas shkêncës se për ndryshe do t’i pritet vullneti djelmunís e kërkush mâ nuk do të dërgojë fëmijë në shkollë për me mësue në këtê degë. Pra artikulli 6 të mbetet ashtu si e ka proponue komisioni e në qoftë se shihet ndonji inkonvenient t’i jepet leja doktorave e kallfëve, në daçin me shërbye të shërbejnë nën shërbimin e tyne.
  2. M. Kruja: Mjerisht po shof se nën hijen e shkêncës e të ditunísë po vështrohet interesi i disave e jo i popullit si tha dhe Z. Vinjau. Nuk âsht n’ interesë të popullit t’u pritet udha gjithë farmacinave qi nuk kanë diplomë, se mbas fjalëve të njerëzve kompetentë për me muejtë me rregullue nji popull me barna, duhet nji farmaci për çdo 5.000 frymë ; kështu qi neve na u lypshin 200 farmacina. Prej këtyne 200 farmacinave mund të gjejmë 20-30 me diplomë, kështu qi na lypen dhe 170 farmacina ; po derisa vêndi i jonë të nxjerri 170 farmacista sa vjet duhen ? E deri atëherë shka do të bâjë ky popull? E lamë se do të mbesin nën interesë të farmacistave qi kemi sot me diplomë, por shumica e popullit do të mbesi pa barna. Z. z. Gurakuqi e Buda po ja ngarkojnë këtë detyrë doktorave, por mbasi doktori âsht i detyruem me marrë nji kallfë, mua më duket se kjo nuk âsht nji gja e re pse kët e ka ligja, e cila thotë se farmacistat do të jenë nënë kontrolin e doktoravet. Kontrolin e mjekut e pranoj me gëzim por megjithkëtë nuk kemi ndîe qi nji kallfë të ketë dhânë nji recetë qi ka shkaktue vdekjen e ndokujt. Pra kisha me thânë në vênd qi të lâmë vêndin t’onë pa farmacista t’u apim të drejtën edhe kallfave me i çilë, me ato kondita qi cakton ligji, të cilat janë mjaft të rânda e të forta, 10 vjet shërbim nën kontroll mjeku, provim etj., të cilat sigurojnë rreziket qi mendojnë z. z. Pra tue ndalue drejtpërdrejt ose tërthuras veprimin e kallfave do t’a lâmë Shqipnínë e popullin në dorë të disa farmacistave të cilët do të punojnë mbas qefit të tyne. Pra proponoj: 1) Farmacistat pa diplomë qi gjînden nëpër qytete të Shqipnisë të mos tunden; 2) Ata qi do të bahen rishtas farmacista d. m. th. pa diplomë mos të kenë të drejtë me çilë farmacina atje ku ka, por atje ku nuk ka, vetëm me siguri qi mos me i luejtë prej andej se ardhka ose mos arthka nji farmacist me diplomë.
  3. Kryetari : Vê në votë artikullin 6 të Komisionit, i cili mbet në pakicë. Vê në votë proponimin e z. M. Kruja qi bashkohesh me atê të z. S. Vinjaut, i cili âsht formulue kështu :

Praktikanët, farmacistat qi kanë shërbye 10 vjet pranë nji farmacisti me diplomë, e qi mund të paraqesin nji dëftesë prej tij, të vërtetueme edhe nga ana e mjekut dhe Këshillit të Bashkís (Katundarís), mund të marrin lêjen me ushtruem mjeshtrín e vet mbas nji provimi përpara Komisís, përmêndun në nenin 3. Farmacistat pa diplomë, qi janë sot në punë, mund t’a bâjnë mjeshtrín e tyne……..

 

Marrë nga vëllimi : Mustafa Kruja  “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”

BISEDIMET E KSHILLIT KOMBTAR – LEGJISLATURA E PARË – Mbledhja e 53-të – Nga MUSTAFA KRUJA

 

Mbledhja e 53-të E hënë, më 26 Shtatuer 1921, ora 3 mbas dreke

 

  1. M. Kruja: Në nji kohë mjaft të rezikshme të Shtetit t’onë kur sulmet e mbrêndshme e të jashtme kishin trazue apo kishin vue në rrezik disa vênde të Shqipnís, disa Shqipëtarë ishin paraqit Atdheut për shërbim. Në mest të tyne janë ndodhun edhe njerëz qi kanë qênë të dënuem me faje komune. Qeverija jonë e asaj kohe e ka pranue shërbimin e këtyne ; nuk e di a mund të ndodhet ndokush qi të mund të gjykojë mbi veprën e Qeverís t’asaj kohe, un them se jo : sepse për me mujtë me gjykue Qeverinë a ka bâ mirë apo jo, duhet të jemi ndodhun në vênd t’asaj Qeveríje, duhet qi të jetojmë n’atë kohë. Veçse kur nji njeri i paraqet Atdheut shërbimet e veta, ndonse paska qênë fajtor, edhe shërbimi i tij âsht pranue, nuk âsht kurrë nder për atê Shtet, mbasi të kthejë prej shërbimit, kur edhe jetën e vet e ka vûe në rrezik t’a kapi dhe t’a futi në burg. Kujtoj se fajtorët komunë të cilët kanë marrë pjesë kundra kryengritjevet të mbrêndshme dhe të jashtme nuk janë të falun të gjithë, disa prej tyne janë falë de fakto dhe jo dejure, pse nuk ka vêndim të premë prej Qeverís, por vetëm këto janë të pandjekun virtualisht janë të falun, të cilët unë i quej të falun. Domosdo nji falje për disa po, edhe për disa jo, nuk mund të pranohet e jam i mêndimit qi falja të përgjithësohet për të gjithë fajtorët e kësaj kategorije. Z. Kryetar thotë se falja nuk mund të jetë amnistie por “Grace”. Në qoftë se gjithë fajtorët komun qi kanë marrë pjesë në luftimet kundra kryengritjevet të mbrêndshme ashtu dhe të jashtme janë të dënuem âsht e vërtetë se falja mund të bâhet me nji grace, por në qoftë se këta ose ata nuk janë të dënuem por të pandjekun nuk kam ndîe kurrë qi të jepet grace atyne qi nuk janë dënue me sentencë të gjykatorevet. Prandaj edhe ata duhen të falen me amnistí dhe jo me grace. Po megjithkëtë nuk do me thânë qi të falen të tânë fajtorët, amnistija mund të përfshijë nji kategori të atyne fajtorëve q’i kanë shërbye Atdheut në kohë të rrezikshme.
  2. Kryeministri : Me të vërtetë Qevería do të marri në kujdes ata qi i kanë shërbye Atdheut.
  3. M. Kruja: Sa mâ shumë të zgjatet aqë mâ shumë do të komplikohet, pse mosndjekunit nuk mjafton, pse tue pasë frikë se mund të ndodhen jashtë amnistijet, mund të shkaktojë edhe nonji të ligë të re. Pra proponoj qi sa mâ parë të vêhet në veprim amnistija.
  4. M. Kruja: Dihet se baza e konstitucionit e çdo Shtetit janë lirítë politike qi duhet të ketë nji nënshtetas i atij vêndi. Lirítë politike nuk janë në çdo vênd njisoj po, sikurse e dini, kanë edhe nji ndryshim edhe pas konditavet shoqnore të vêndit. Në nji Shtet janë të ngushta në nji vênd janë të gjâna. Në nji Shtet si Shqipníja qi âsht nji Shtet-formimi nuk jemi të mêndjes se lirítë politike të kenë nji kufi të gjânë, kështu qi edhe lirít e shtypit duhet të kenë nji kufî mjaft të ngushtë, por me gjithë këto nji kufî me ligje. Nuk do të hŷj me gjykue fajin e E. Matraxhiut a ka bâ nji faj apo jo me artikullin qi ka shkrue, se ai në qoftë se mbas ligjës meriton dënimin, të dënohet ; por se këtu po shof se n’atë davá ka vue dorë gjyqi politik, pse sikurse e dini këtu në Shqipní kemi edhe nji gjykatore politike. Mbi këtë gjykatore nuk due të flas, se çfarë gjykatore âsht, e se mbi çfarë baza âsht ngrêjtë e se deri ku ka veprue me energjí e drejtësí ; pse këtê e dini të gjithë. Vetëm due të flas mbi kompetencën. Ministri me shpjegimet qi na dha nuk na tregoi a ishte në kompetencë të gjyqit politik kjo davá apo jo, vetëm na tha se unë nuk jam kompetent me gjykue në këtë pikë. Na e dimë mirë se kjo gjykatore nuk ka nji gjykatore si vedi mâ të naltë e se varet vetëm drejt prej ministrís të P. të Mbrêndshme. Gjyqi politik nuk âsht si gjykatoret e zakonëshme (ordinare), qi kanë mbi vedi gjyqin e apelit e të kasacionit, po kjo âsht nji gjykatore fare më vedi e qi jep mêndime të preme, kështu qi ankuesi nuk mund t’i sjellet nonji gjykatores për apelim ; se si thamë edhe mâ parë kjo gjykatore nuk ka nji gjykatore më vedi. Në qoftë se të drejtat e nënështetasit shqiptar do të lêhen të shkelen prej nji prokurorije të këtillë atëherë çdo institucion kontrollimi për të drejtat e nënështetasve âsht kot në këtë vênd edhe parlamenti âsht kot, në qoftë se të drejtat e nënështetasve nuk merren parasŷsh. Ç’ndryshim ka ajo gjykatore prej asaj ordinarie:

Jo qi ka nji ndryshim të math, pse kjo nep vêndime të preme, të cilët nuk mund të apelohen por pos kësaj nuk mund të kemi besimin qi kemi në gjykatorët të zakonëshme për arësye, pse vetë formimi i saj nuk na jep atë besim qi duhet të kemi. Qi kjo gjykatore nuk ka pas kompetencë me vue dorë për burgimin e Z. E. Matraxhiut âsht në shesh, pse ajo gjykatore âsht bazue ngreh e themelue përmi nji ligj qi âsht për faje politike ; po jo të gjitha fajet politike  janë në kompetencë t’asaj gjykatore. Fajet qi janë në kompetencë t’asaj gjykatore, janë caktue në ligjën e posaçme, e cila numëron vetëm propagandat kundra mbretënís, flamurit, indipendencës, e shkronjavet shqip. Artikulli qi ka shkrue gazeta „Shkumini“ nuk përpiqet aspak me ato propaganda q’i cakton ligja e posaçme e gjyqit politik. Artikullit po i jepet nji frymë kantonisme, e cila le qi âsht kundra ligjit për faje politike mbi të cilën kjo gjykatore âsht themelue e mbas së cilës vepron, por nuk ka asnji frazë ose nji fjalë qi ka të përpjekun me mendime kantonismi. Po n’âsht se ka nji të përpjekun të tillë nuk âsht gjykatorja politike qi t’a dënojë por janë gjykatoret ordinare. Kodi penal përpara kësi fajesh ka nji kapitull mjaft të gjânë e në qoftë se ky bân nji faj qi shkakton dënimin e tij mund të gjykohet mbas ligjit penal në ligjin qi kam në dorë nuk shof asnji paragraf qi flet mbi nji të tillë faj. Mbasi vêndimet e gjykatores janë të preme i hup e drejta të pandehunit, pse atëherë gjykimi i tij âsht vetëm në dorë të Ministrís të P. Mbrêndshme e cila do t’a vërtetojë e mbasi gjykatorja politike nuk ka nji gjykatore mâ të naltë mbi vedi qi mund të ndryshojë vêndimin e saj, nuk ka fare të drejtë Z. Ministri t’na thotë se nuk mund të trazohet për këtë çâshtje mbasi âsht ai vetë përgjegjës tue qênë se kjo gjykatore mvaret drejtpërdrejt prej Ministrís të P. të Mbrêndshme. Prandaj Z. Ministri lipset t’a shqyrtojë këtê gjykatore mbasi ai âsht përgjegjës apo të marrë përgjegjësinë mbi vete, e jo t’ na thotë se nuk mund të trazohet.

 

Marrë nga vëllimi : Mustafa Kruja  “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”

“Miq apo të dashuruar?!”, e vërteta e lidhjes së Qemal Stafës me Nexhmijen. Mjeku personal i Enverit flet për marrëdhënien misterioze

Pjesa në vijim e rrëfimit të Isuf Kalos, mjekut personal të Enver Hoxhës, marrë nga libri “Blloku”, botim i UET PRESS, ka në fokus profilin e Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes dhe bashkëpunëtores më të afërt të diktatorit, të cilën me të drejtë e quan bashkëqeverisëse. Përtej rrethanave të njohjes së tyre në vitet e Luftës, Kalo qëndron jo pak në një episod të përfolur gjatë, sidomos në vitet e fundit, për lidhjet e Nexhnmije Hoxhës me Qemal Stafën para njohjes me Enverin.

Në dilemat pa fund për ndjenjë të vërtetë, flirt kalimtar, dashuri platonike apo simpati vajzërore për të, asnjëra nuk përbën çudi, as blasfemi, sidomos kur flitet për një vajzë, që atëherë ishte vetëm 17 vjeç. Një tjetër enigmë që zbardh Kalo te “Blloku”, janë martesat misterioze të pjesës më të madhe të liderëve komunistë në vitet e luftës. Jo rastësisht, ai konkludon në rolin e fshehtë të misionarëve të Titos në bekimin e këtyre lidhjeve. Në këtë optikë shikon martesën e Mehmet Shehut me Fiqirete Sanxhaktarin, divorcin e panjohur të Hysni Kapos me gruan e parë dhe lidhjen me Vito Kapon, si dhe një mori çiftëzimesh mes liderëve të lëvizjes komuniste…

 

ISUF KALO

NEXHMIJA “BASHKËQEVERISËSE”

Figura, veprimtaria dhe karakteri i Ramiz Alisë janë vështirë të ndahen nga ndikimi i rrethanave të fatit që e sollën atë, që gjatë viteve të Luftës, në kontakt të ngushtë dhe që e mbajtën në miqësi të gjatë me Nexhmije Hoxhën. Ishte miqësi që nga fillimi deri në fund nga ana e të dyve, e pastër, puritane, kameradeske prej militantësh.

Ndonëse pata fatin t’i njoh të dy nga afër, e kam të pamundur të them se cili nga ata ndikoi më shumë për të formuar te secili sjellje, qëndrime, taktika dhe karaktere të ngjashme. Nexhmija, ndoshta më parë e më saktë sesa Ramizi, njohu dhe kuptoi “gjuhën e Bllokut” dhe “preferencat e pathëna të Enverit”.

Dhe pastaj me kohë ndryshoi, duke u ambientuar e duke përshtatur sjelljen, objektivat dhe karakterin e saj me to. Njohja e saj me Ramizin ndodhi gjatë luftës, në Konferencën e Rinisë Komuniste Antifashiste, që u zhvillua në Helmës të Skraparit. Ramizi ishte një ndër organizatorët lokalë të saj. Pas takimit të parë aty, do të fillonte një bashkëpunim i ngushtë e i gjatë i të dyve në sektorin e rinisë e të ideologjisë. Bashkëpunim miqësor, moralisht korrekt, thjesht si dy kolegë në një front pune të përbashkët.

Veprimtarinë me rininë komuniste, Nexhmija e pati filluar që në bankat e shkollës së mesme. Në ato vite të adoleshencës, të viteve shkollore dhe të rinisë së hershme, ajo kishte qenë “vajzë e mbarë”, e moralshme, thuajse “engjëllore”. Por, kur u përfshi në rezistencën antifashiste të komunistëve në ilegalitet dhe u njoh, fshihej e lëviznin të dy në muzg, mbi të njëjtën biçikletë me Enver Hoxhën dhe flinin në shtëpi simpatizantësh.

Vështruar retrospektivisht, në sytë e opinionit tradicional konservator, Nexhmija i theu tabutë e sjelljeve të vajzave të “ndershme” të asaj kohe. Pas rënies së regjimit komunist është përfolur herë si aludim i hamendësuar e herë i shprehur me tendenciozitet (pa fakte apo dëshmi të verifikueshme) një “lidhje shpirtërore” apo diçka më tepër se aq e Nexhmijes në rininë e hershme të saj me Qemal Stafën.

Ky aludim bëhej gjithsesi për kohën para lidhjes së saj definitive me Enverin. Askush nuk është shprehur qartë e i sigurt se çfarë mund të ishte ajo marrëdhënie e supozuar: ndjenjë e vërtetë, flirt kalimtar, dashuri platonike, simpati vajzërore e adoleshencës, apo miqësi puritane romantike, pa qëllim të “keq”, siç predikonin asokohe militantët e parë komunistë.

Cilado prej tyre të ketë qenë e vërtetë, e parë sot, qoftë edhe me syrin e moralistit më fanatik, asnjëra nuk përbën çudi, as blasfemi, kur flitet për një vajzë që atëherë ishte vetëm 17 vjeç. Interesi për atë marrëdhënie u zgjua në kushtet kur u përhap një mjegullnajë në periudhën postkomuniste, e cila, nisur nga mllefi, mbështolli tërë bëmat, fajet duke mbjellë mallkim për regjimin e mëparshëm, e veçanërisht Kopertina e librit për Enverin.

Në këtë kontekst u përhap edhe akuza intriguese sikur vrasja dhe eliminimi i Qemalit nga skena partiake e politike nuk ishte spontane, por një akt i fshehtë pabesie, i organizuar prej Enverit, për arsye rivaliteti në karrierën politike, por dhe prej “xhelozisë mashkullore” ndaj tij. Vetë Nexhmija i ka hedhur poshtë publikisht me vendosmëri të tilla aludime. Ajo ka folur e shkruar hapur, pa komplekse për miqësinë e simpatinë, si dhe vlerësimet e larta, superlative, të saj për Qemalin.

Dhe e ka shprehur versionin e vërtetë që ajo beson si shkak të vrasjes së tij, si dhe për dhembjen që ndjeu dhe ndau natyrshëm, bashkë me Enverin, pasi mësuan të dy lajmin e kobshëm të humbjes së këtij shoku e miku të mirë e të shtrenjtë të tyre. Duke e shpallur më vonë datën 5 maj 1942, ditën e vrasjes së Qemalit (dhe jo atë të Vojo Kushit, që ishte shumë më heroike me gjoksin mbi tank!) si ditën përkujtimore për të gjithë dëshmorët, ata të dy mbase deshën të dëshmonin vlerësimin e tyre të veçantë për të.

Qemali, siç e përshkruan Nexhmija dhe ata që e patën njohur, ishte djalosh i ri përparimtar, pa paragjykime, me kulturë të gjerë, organizator dinamik, orator e letrar i talentuar dhe me karakter të çiltër e të vendosur. Ai pat besuar thellësisht në ideologjinë komuniste. “Po. Jam komunist dhe jam krenar për këtë. Sepse vetëm komunizmi do ta shpëtojë botën nga mjerimi i sotëm”, ishte shprehur haptas e trimërisht ai në gjyqin e grupit komunist të Shkodrës, përpara se të themelohej Partia jonë Komuniste, teksa i kishte duart të mbërthyera në pranga. Natyrisht, është e pamundur dhe pa ndonjë vlerë të madhe “zbulimi” pas kaq shumë kohësh i ndjenjave që patën apo fshehën në zemrat e tyre për njëri-tjetrin, pas njohjes së tyre të parë, dy të rinjtë Qemal dhe Nexhmije. Por nuk është krejt e pamundur dhe e pajustifikuar të përfytyrohet një romancë idealistike apo platonike “rozë”, e përjetuar heshtazi mes tyre. Aq më tepër që kjo thuhej se kish ndodhur përpara se Nexhmija të njihej e të lidhej me Enverin.

Janë disa elemente të rrëfyera nga vetë Nexhmija që marrin domethënie në këtë kontekst. Qemali ishte, siç është pohuar edhe nga Nexhmija, i pari që e zbuloi dhe e tërhoqi atë si militante në radhët e të rinjve që besonin në ideologjinë komuniste e revolucionare që në vitin 1937, kur ajo ishte nxënëse në moshën 16- vjeçare. Kjo ndodhi 4-5 vite para themelimit të Partisë Komuniste dhe njohjes së saj me Enverin.

Në “Celulën e shoqeve” që Qemali, si anëtar i Grupit komunist të Shkodrës, pat krijuar në Institutin Pedagogjik Femëror të Tiranës, ku bënin pjesë Liri Gega, Fiqirete Sanxhaktari (Shehu), Drita Kosturi dhe Nexhmija, ishte pikërisht kjo e fundit që Qemali veçoi dhe zgjodhi për ta aktivizuar dhe informuar më hollësisht. Përse vallë? Sepse ishte më e vendosura e më inteligjentja?

Apo më tërheqëse, më e pashme e më e ëmbël sesa të tjerat? Mundet edhe për brishtësinë e saj, për të cilën Qemali vetë do ta quante më pas “Delikatja”!! Takimi i parë mes tyre, siç është i përshkruar në kujtimet e Nexhmijes, u krye në fshehtësi në verën e vitit 1937, katër vite para themelimit të Partisë Komuniste, në një vilë private të Tiranës, në rrugën që tani mban emrin “Qemal Stafa”.

Portën ia hapi vetë Qemali. Nuk kishte njerëz të tjerë aty. Të zotët e shtëpisë, rastësisht a qëllimisht, kishin ikur atë ditë. Qemali ishte atë vit 17 vjeç. Djalosh i gjallë, i sigurt. Ajo 16. Vajzë adoleshente ëndërrimtare, kurioze dhe e turpshme. Në dhomën ku qëndruan, ajo u ul në një minder. Qemali në një karrige përballë saj. Si dy pëllumba që këqyrnin njëritjetrin. “Pëllumbi me syze” nisi gugatjen. Jo për paqen, por për luftën. Tjetra dëgjonte e ndrojtur. Kështu filloi edukimi teorik marksist i Nexhmije Xhuglinit.

Mundet që seanca e asaj dite gushti të vitit 1937 të ketë qenë e para dhe më e veçanta për edukimin marksist që do të zhvillohej në Shqipëri. “Mësuesi” dhe nxënësja e vetme në atë “klasë” kishin vetëm një vit diferencë moshore! Macja e shtëpisë, e mbetur pa të zotët, kurioze për çiftin, kërceu dhe u ul në prehrin e vajzës. Ajo instinktivisht e përkëdheli. Por “mësuesi marksist” përballë i tërhoqi rreptë vërejtje nxënëses, duke nënkuptuar që ta linte macen dhe të vazhdonte të dëgjonte teorinë, sloganet dhe instruksionet komuniste për transformimin revolucionar të botës.

Në fund të bisedës, Nexhmije Xhuglini do të quhej tashmë “shoqe e re e edukuar komuniste”. Më pas, ndonëse banore e Tiranës, ajo do të anëtarësohej, pa e ditur as ajo vetë pse, jo në Grupin komunist të Tiranës, por në atë të Shkodrës, ku një ndër militantët kryesorë ishte pikërisht Qemali. Më 8 nëntor 1941, siç dihet, u formua ilegalisht në Tiranë Partia Komuniste Shqiptare.

Dy javë pas saj, më 23 nëntor 1941, në një rrugicë tiranase, në shtëpinë e kosovares Bije Vokshi, u themelua edhe Organizata e Rinisë Antifashiste Shqiptare. Falë propozimit të Qemalit, Nexhmija ishte e para dhe e vetmja vajzë apo “shoqe militante”, mes 14 delegatëve burra, si bashkëthemeluese e kësaj organizate rinore. Ajo u zgjodh edhe në kryesinë e saj, si përfaqësuese e të gjitha të rejave dhe grave shqiptare.

Aty Nexhmije Xhuglini pa dhe u takua për herë të parë edhe me Enver Hoxhën. Ai kishte ardhur si i deleguar i Partisë Komuniste Shqiptare. Që nga ajo ditë, fati i Nexhmijes do të ndryshonte e do të merrte përgjithmonë rrugë tjetër. Marrëdhënia e saj me Enverin, imponues nga imazhi, oratoria dhe pamja fizike, u zhvillua në mënyrë të vrullshme e të pandalshme.

Ndërkohë, miqësia e saj me Qemalin vazhdoi, në dukje po aq korrekte shoqërore si më parë, por rrethanat ndryshuan. Qemali u fejua me Drita Kosturin, njërën nga ish-shoqet e saj të celulës së shkollës. A ishte dhe a mbeti gjithë kohën miqësia mes Qemalit dhe Nexhmijes vetëm miqësi? “Miqësia, shkruan Gregoire Delacourt në librin ‘Lista e dëshirave të mia’, mund të shndërrohet në dashuri.

Por dashuria kurrsesi jo në miqësi”. Ndoshta për këtë nuk arritën ta dinin të vërtetën as ata vetë. Por në librin e kujtimeve të Nexhmijes për atë periudhë, mes rreshtave ndihet me takt të hollë një farë zhgënjimi si pengmbetje, një dhembje, keqardhje shpirtërore miqësore (apo një lloj xhelozie femërore a shoqërore?) për zgjedhjen, sipas saj jo të qëlluar që bëri Qemali në fejesën e tij. Ajo fejesë ndodhi pasi ai vajti për studime në Itali, ku, siç shkruan ajo, “iu ngjit nga pas” edhe Drita Kosturi.

Nexhmija vetë, zakonisht mjaft e rezervuar në fjalorin e saj, e cilëson ish-shoqen e saj të shkollës dhe të celulës me tone jo admiruese, madje disi të ashpra, si “revolucionare anarkiste”. “E çiltër, por jo aq e ekuilibruar”. “E parregullt në mbajtjen e vetes”. E thënë më haptazi, “jo e denjë për Qemalin”. Për ta mbështetur edhe më tej pakënaqësinë e saj, ajo citon fjalët që i paska thënë Qemalit Bije Vokshi: “Mor bir, ç’t’u desh me u përzi me atë çikë?”. ENIGMA E SHKUESIVE Ka pak interes për të ditur nëse pati apo jo nuanca rozë në miqësinë e hershme mes Nexhmijes e Qemalit.

Sido të ketë qenë, ajo nuk e cenoi aspak integritetin moral, as sinqeritetin dhe korrektësinë e saj në dashurinë e jetës së saj, atë me Enverin. Diçka tjetër, që mund të ketë më tepër interes, është ajo që Nexhmija ka evidencuar si pa dashur në rrëfimet e saj për fejesën e Qemalit. Ajo ka të bëjë me mënyrën sesi stiseshin fejesat dhe martesat mes militantëve tanë të parë komunistë. Në përpjekjen për ta shpjeguar misterin, me të cilin Drita Kosturi mundi ta “magjepste e ta bënte për vete” Qemalin, Nexhmija, në kujtimet e shkruara, tregon një element tronditës të keqpërdorimit e sakrifikimit të detyruar të ndjenjave njerëzore e të integritetit të militantëve të rinj komunistë “në shërbim gjoja të revolucionit, të kauzës komuniste dhe të interesave të partisë”.

“Ndoshta, Qemali nuk ishte çliruar, shkruan ajo, nga forca e disiplinës si militant komunist, nga ai mentalitet i gabuar i grupit, që në emër të interesave të punës sonë ilegale për të krijuar baza komuniste ‘sajonte martesa’. Kështu, me këtë mentalitet, vazhdon më tej Nexhmija, u martuan Zylfie Tomini me Xhemal Canin, që hapën pastaj shtëpinë ku u formua Partia Komuniste. Gjystina me Zef Ndojen, që hapën si bazë shtëpinë, e cila u bë baza e dytë e Komitetit Qendror provizor dhe ku u vendos arkivi i partisë. Po kështu, u martuan Selfixhe Ciu me Xhemal Brojën, që hapën si bazë shtëpinë në Shkodër”. Një martesë të tillë “për interesat e partisë, me dikë të cilit nuk ia thotë emrin, ajo pohon se ia patën propozuar edhe asaj, por që e kishte refuzuar vendosmërisht. Më pas, kur Nexhmija pati krijuar lidhjen me Enverin dhe i tregoi atij për këtë propozim të përçudnuar, ai i dha asaj të drejtë”.

“Sa mirë ua ke bërë”, i tha ai. Mirëpo, a nuk do të thotë ky fakt se ajo veprimtari monstruoze komandohej nga dikush tjetër, pa dijeninë dhe miratimin e Enverit? Pra, lind një enigmë e pasqaruar me hollësi deri tash. Kush e paskej ditur dhe paracaktuar se ku dhe kur do të themelohej Partia Komuniste, për të cilën qenka sajuar dhe realizuar që më parë martesa “patriotike” e “militantëve Zylfije me Xhemalin”, të cilët pastaj do ta ofronin shtëpinë e tyre për këtë eveniment historik? Kush paskësh qenë ky i “fuqishëm” i fshehtë, me mendësi të tillë që sajonte martesa gjoja në interes të lëvizjes e të Partisë dhe planifikonte ngjarjet që do të ndodhnin në të, pa njoftuar liderët shqiptarë në krye të saj?

Kush i seleksionoi, kush i lajmëroi dhe ua organizoi udhëtimin, vendtakimin e delegatëve, rojet, programin paraprak të mbledhjes themeluese, kateringun e kancelarinë e domosdoshme në kushtet ilegale të okupacionit dhe pa mjete komunikimi? Edhe në ditët e sotme, kur disponohen mjete moderne të shtypit, elektronikës, transportit dhe telekomunikimit, është tejet e vështirë të organizohen me vullnetarizëm individual evente të tilla. Kush e zgjodhi shtëpinë e nipave të kosovares Bije Vokshi në Tiranë, për të themeluar Organizatën e Rinisë Komuniste?

Pse pikërisht ajo dhe jo një shtëpi tjetër tiranase? Kush dhe si siguroheshin teknika, mjetet e kamuflazhit me kostume e kapele aristokrate, biçikleta, syze, pasaporta false, pajtonë e mjete të tjera konspirative, me të cilët lëviznin të maskuar ilegalët e parë komunistë? A mund t’i realizonte të gjitha këto vetë Partia Komuniste, ende e pakrijuar apo e sapokrijuar, por pa burime logjistike e financiare? A mund të realizoheshin të gjitha këto nën hundën e okupatorit kaq thjesht, kaq lehtësisht apo spontanisht, vetëm nga amatorët militantë të ditëve të para?

Mos vallë diçka është mbajtur e fshehur dhe fshirë më pas qëllimisht në historikun e lëvizjes dhe të Partisë sonë Komuniste? Mos vallë mbështetja organizative në prapaskenë nga ana e Partisë Komuniste Jugosllave të atëhershme (për hir të interesave të saj) ka qenë më e hershme, më e gjerë, më e koordinuar profesionalisht e materialisht sesa ajo çka është pohuar deri sot vetëm si prani “rastësore” e Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës në mbledhjen themeluese të 8 nëntorit? Mendja të shkon te ky i fundit, edhe për lidhjen e pastaj martesën e Mehmet Shehut me Fiqirete Sanxhaktarin, atëherë të dy në shtabin komandues të Brigadës së Parë, ku “këshilltar” i pandarë pranë tyre në atë brigadë qe pikërisht Dushan Mugosha.

Apo për divorcin misterioz të Hysni Kapos me gruan e parë, me të cilën kishte edhe një djalë, të kryer në heshtje, dhe martesën e tij, fill pas Çlirimit të vendit, me Vito Kondin, ish-sekretaren e Shtabit e personalisht të Enverit. Mos vallë Mugosha, “këshilltari” politik serb, që e fliste mirë shqipen, pati mision, përveç procesit të formimit të Partisë Komuniste, edhe atë të krijimit të arkitekturës udhëheqëse të saj me persona të njohur nga afër dhe të besueshëm të tij?

“Frikë se mos e vriste Kadri Hazbiu”, Isuf Kalo rrëfen takimin e Enverit me Ramiz Alinë ditën e vetëvrasjes se Mehmetit

Mjeku personal i Enver Hoxhës, profesor Isuf Kalo, në librin e tij “Blloku” të botuar nga UET Press, tregon incidentin mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, ish-ministrit të Brendshëm, ditën që ky i fundit e njoftoi për vetëvrasjen e Mehmet Shehut.

Enver Hoxha nuk pranoi që Kadri Hazbiu të ishte në një makinë me të dhe Ramiz Alinë kur ata u nisën nga vila e tij në Komitetin Qendror, për shkak të një pasigurie për fatin e tij. Kadri Hazbiu ishte i vetmi që lëvizte i armatosur. Por dyshimet ndaj Kadri Hazbiut datojnë shumë kohë më parë dhe ai mbetej jo shumë i mirëpritur në familjen Hoxha, sipas profesor Kalos.

 

ISUF KALO

Mënyra sesi dhe momenti kur Mehmeti mori vendimin e vetëvrasjes kanë mbetur mister. A e vendosi ai atë fill i vetëm, pa e biseduar me të shoqen, për të mos e tronditur para kohe atë? Apo e biseduan paraprakisht të dy? E konsideroi atë si alternativën e vetme të një humbësi të pashpresë, prej së cilës ndoshta mund të përfitonte ruajtjen e meritave dhe gjurmëve historike të vetes dhe të ardhmen e pacenuar të familjarëve të vet? A e shkroi letrën që la pas për t’iu dorëzuar personalisht Enverit atë natë apo e pati menduar ose shkruar si draft që më parë, në një version paraprak?

A ia kishte dhënë edhe Fiqiretes ta lexonte dhe ta komentonte? A la të shkruar edhe ndonjë letër tjetër personale për Fiqireten me porosi, amanete për miq ku mund të mbështetej, për varrimin, për armiqtë nga duhej të ruhej, për fatin e dokumenteve sekrete që dispononte, si dhe disa fjalë lamtumire? Apo ia la ato asaj me gojë, për të mos lënë gjurmë? Në qoftë se nuk ka lënë asgjë nga këto, atëherë tërthorazi duhet menduar se ai ka besuar se vetëvrasja dhe letra do ta preknin Enverin dhe ai do t’i plotësonte, pa hezitim, ato kërkesa modeste të tij: sidomos moscenimin e familjes dhe të meritave historike. Nga sa i njihja marrëdhëniet e Mehmetit me të shoqen, Fiqireten, nuk besoj që ai ta ketë marrë vendimin e vetëvrasjes i vetëm, pa e diskutuar fillimisht edhe me të.

Nuk besoj se ai do i shpërfillte implikimet e një akti të tillë te shoqja e tij e jetës dhe familja në tërësi. Pavarësisht nga dukja e jashtme, Fiqiretja kishte ndikim tek i shoqi. Megjithatë, deri tani, askush nuk ka folur apo shkruar publikisht për ndonjë takim dhe bisedë paraprake mes tyre gjatë asaj nate fatale. As vetë Fiqiretja, as djemtë, as hetuesia. Nuk është folur as që Mehmeti të ketë lënë ndonjë letër tjetër private për Fiqireten, për djemtë, mbesat, për të dashurit e tij ku t’u jepte lamtumirën plot dhembje. Si iku ai pa një të puthur para vetësakrifikimit të gruas që e shoqëroi në luftë dhe në jetë?

A mund të largohet njeriu, qoftë dhe i zakonshëm, përgjithmonë kështu? Apo të gjitha këto ia ka thënë asaj me gojë dhe të përlotur mund të jenë ndarë të përqafuar, të goditur nga ai hall i madh? Vetësakrifikimi i tij mund të ketë qenë zgjidhja që ai i ka imponuar së shoqes për të mirën e përgjithshme të atyre që la pas. Ajo, me lot dhe dhembje, mund ta ketë kundërshtuar, por as ajo nuk ka pasur alternativë tjetër më të mirë, më të sigurt, për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej.

Ishte në lojë fati dhe e ardhmja e fëmijëve dhe e familjes. Sidoqoftë, nëse ka ndodhur vërtet ajo bisedë dhe ndarje e fundit mes atij çifti, i cili pak muaj më parë notonte në lumturi dhe tani ishte në prag të zhytjes në humnerën e një fatkeqësie të thellë, mund të përbëjë subjektin e një tragjedie rrëqethëse. Ata që e kanë parë dhe takuar Fiqireten në mëngjesin e 18 dhjetorit, kur Mehmeti u gjet i vetëvrarë, nuk e kanë përshkruar të hutuar, të vilanosur apo duke qarë me zë apo pa zë, për kobin që kishte ndodhur, por të pikëlluar dhe, njëkohësisht, relativisht të qetë e të përmbajtur, si të parapërgatitur për të pritur vizita ngushëllimi nga pushtetarët e lartë.

Dhe, madje, disi të çuditur që kjo nuk po ndodhte ose po vonohej. Qëndrimi iluzor i saj përputhej me pritshmërinë e plotësimit të amanetit apo të kërkesës së Mehmetit për ta varrosur me dinjitet dhe për të ruajtur të pacenuar familjen. Ajo nuk mund ta dinte se, për fat të keq, efekti i letrës dhe i vetëvrasjes tek Enveri do të ishte i kundërt me atë çka ai dhe ajo patën shpresuar. Enveri u habit kur dëgjoi lajmin atë mëngjes. Vetëvrasjen ai nuk e pati parashikuar. Në gjallje, Mehmeti e dënonte vetëvrasjen si dobësi dhe si një akt të papranueshëm për komunistët.

Në disa vende, si në Gjeorgji, ajo ndalohet me ligj. Kur Ramizi, i shoqëruar nga Kadri Hazbiu, të dy kritizerët më të ashpër të Mehmetit në mbledhjen e një ditë më parë, shkuan në mëngjesin e 18 dhjetorit në shtëpinë e Enverit për ta informuar për çka kishte ngjarë, ai e priti me shumë habi lajmin dhe pyeti dy herë: Përse e bëri këtë? Përse e bëri vallë? Ekzaktësisht, në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtën habi pati reaguar Stalini kur i njoftuan vetëvrasjen e së shoqes, Nadia Alillujeva. Edhe ajo u vetëvra pas prekjes së sedrës nga i shoqi pas një fyerjeje që ai i bëri me arrogancë në publik. “Përse e bëri këtë? Përse u bë kundër meje?”, pati pyetur Stalini. Dhe pati shtuar: “Vrau veten për të më goditur mua”. Pas kësaj, edhe ai e quajti të shoqen “tradhtare dhe armike” të tij. Pasi mësoi lajmin, Enveri doli menjëherë si furtunë nga shtëpia për t’u nisur në zyrë me makinën e tij bashkë me ata të dy.

Behar Zhurda, truproja personale e Enverit, i hapi derën e makinës. Enveri ulej gjithmonë në sediljen e pasme. Në sediljen tjetër të pasme përkrah tij, u ul Ramizi. Në sediljen e parë në krahë të shoferit duhej të ulej Behari. Por Kadriu, i mbetur pa vend, për t’i shoqëruar ata në të njëjtën makinë, i tha Beharit t’ia linte vendin atij dhe të vinte me makinën tjetër aty ngjitur, me të cilën Ramizi dhe Kadriu kishin ardhur. Distanca që do të përshkonin nga shtëpia e Enverit deri në zyrën e tij në Komitetin Qendror nuk ishte më shumë se 100 metra, por, çuditërisht, Enveri, i zymtë në fytyrë, ndërhyri dhe, si rrallëherë, e urdhëroi truprojën e tij të mos lëvizte nga vendi. “Qëndro aty!”, i tha. Kadriu le t’i ndiqte pas me makinën e tij. Ky reagim u duk i çuditshëm, sepse Enveri nuk e kishte pasur zakon të merrej me detajet e udhëtimit e të sigurimit të tij.

A ishte kjo shenjë paniku e pasigurisë së Enverit që ta linte veten pa truprojë në dorë të Kadriut, i cili, me ose pa dijeninë e Ramizit, kushedi se ku mund t’i çonte? Ndër ata të tre, Kadriu ishte i vetmi që lëvizte i armatosur. Ishte kjo shenjë krize e humbjes së besimit të Enverit pas situatës së krijuar me vetëvrasjen e Mehmetit te të gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë të tij? Kjo dilemë u forcua dy vjet më pas, kur do të akuzohej dhe do të dënohej me pushkatim edhe Kadri Hazbiu, ish-kryebesniku i tij, si agjent i KGB-së dhe si “bashkëkomplotist” me Mehmet Shehun. Të kenë qenë vallë dyshimet apo planet për eliminimin e Kadriut, të fiksuara në mendjen e Enverit që ditën e atij episodi, dy vjet përpara se të shpalleshin?

Kjo pikëpyetje më lindi kur në kujtesë m’u zgjua një episod i sjelljes jo të zakontë të Nexhmijes me Kadriun, më 5 mars 1981, tetë muaj para se Mehmeti të vetëvritej. Datën e mbaj mend, sepse atë ditë pati vdekur vëllai i Nexhmijes, Fehmiu, si edhe Stalini shumë vite më parë, më 1953. Lajmi i fatkeqësisë erdhi natën, afër mëngjesit, në Vlorë, ku Enveri dhe Nexhmija ishin disa ditë për pushime në vilën e tyre në “Ujin e ftohtë”. Nexhmija ishte ende në gjumë kur lajmi iu dha së pari Enverit. Ai tha mos ia thoni Nexhmijes, sepse do ia them unë vetë. Dhe ashtu bëri, me mjaft dhembshuri dhe delikatesë. Nexhmija e donte shumë të vëllain dhe e përjetoi me shumë dhembje humbjen e tij. Ajo u nis menjëherë për Tiranë.

Enveri më tha që ta shoqëroja edhe unë, kurse vetë qëndroi në Vlorë prej nga erdhi në ditën e varrimit, por jo në varreza. Rrugës për në Tiranë, Nexhmija kërkoi që të shkoja në makinën e saj për të biseduar diçka. Ajo, veç të tjerash, më kërkoi miqësisht mendimin, si mjek i familjes, se cila do të ishte dega apo drejtimi profesional më i mirë për mbesën e vogël të saj, studente e shkëlqyer, e cila sapo kishte mbaruar ose ishte në mbarim të Fakultetit të Mjekësisë. Ndërkohë që po bisedonim, shoferi mori sinjal që në distancë para nesh, diku pa arritur te shkëmbi i Kavajës, kishte dalë në rrugë dhe po priste jashtë makinës së vet shoku Kadri, atëherë ministër i Brendshëm. Nexhmija sikur u prish në fytyrë dhe e shqetësuar pyeti dy herë: “Pse? Pse?”.

Nuk kishte dyshim që ai kishte dalë për ta ngushëlluar miqësisht, në shenjë solidariteti (mbase dhe për servilizëm) në fatkeqësinë që i kishte ndodhur dhe që ta shoqëronte në rrugën e mbetur deri në Tiranë. Besoj ishte thjesht “qokë”. Kadriu njihej që bënte të tilla me shumë ngrohtësi jo vetëm ndaj personaliteteve dhe nomenklaturës së lartë, por edhe ndaj punonjësve, veteranëve apo bashkëpunëtorëve vartës të tij. Por Nexhmija m’u duk sikur u bezdis. Ajo u ndal vetëm pak sekonda dhe pa dalë nga makina, shkëmbeu ftohtas ca fjalë me të. Dhe u nis pa e ftuar në makinën e saj që ta shoqëronte. E thënë ndryshe, ia shpërfilli zellin dhe xhentilesën.

U habita, sepse nuk ishte e tillë sjellja e zakonshme e Nexhmijes me “shokët e Byrosë” e veçanërisht me Kadriun, i shquar për besnikërinë dhe përzemërsinë ndaj Enverit. Edhe pse në princip dhe në bazë të postit, si ministër i Punëve të Brendshme, Kadriu duhej të ishte personi më i besuar i Enverit, më ishte dukur e çuditshme që, në fakt, ai nuk ishte personi tek i cili unë duhet të raportoja ose ta vija në dijeni lidhur me ngjarje apo probleme shëndetësore të Enverit. Ai nuk ishte personi im i kontaktit. Nuk kisha ndonjë porosi direkte dhe as ndonjë aludim nga pacienti im për këtë fakt, por kisha krijuar vetë një shpjegim të hamendësuar. Më ishte krijuar një ndjesi se Enveri ruante dhe nuk e hiqte asnjëherë dyshimin as në rastin e Kadriut, që ministri i Brendshëm, siç informohej fshehtas për çdo gjë në jetën e qytetarëve dhe të udhëheqësve të tjerë, mund ta mbante në survejim edhe atë vetë, lidhur me bisedat, telefonatat dhe jetën e përditshme private dhe familjare.

Një nga format e informimit mund të ishin afërsia, miqësia dhe kontaktet e ministrit me mjekun e tij. Në këtë kontekst, megjithëse Kadriu vetë dhe familjarët e tij ishin tejet mikpritës dhe të përzemërt ndaj meje, unë, me kompleksin e atij dyshimi të hamendësuar të Enverit, i dilja së keqes përpara, duke qëndruar qëllimisht disi i distancuar për të mos krijuar përshtypjen as në aparencë të ndonjë familjariteti apo miqësie të ngushtë me Hazbitë, çka ata, me aq sa pata kuptuar, e patën interpretuar si mendjemadhësi a fodullëk. Ishte marrëzi aso kohe të dyshoje në ndershmërinë dhe korrektesën e Kadriut ndaj Enverit, por nuk ishte gabim t’i dëgjoje me vëmendje qoftë dhe pa i besuar marrëzitë.

Një ditë, papritur, Kadriu më thirri vetë, së bashku me dr. Hajro Shytin, në shtëpinë e tij për të na informuar dhe kërkuar diçka që lidhej me shëndetin e Enverit. Përpara nesh, po atë ditë, pat thirrur në shtëpinë e tij edhe Sulo Gradecin, profesor Fejzi Hoxhën dhe dr. Ahmet Kamberin. Ishte koha pas vetëvrasjes së Mehmetit, kur Fiqiretja ishte arrestuar dhe po pyetej në hetuesi. Ai na tha se, “sipas të dhënave operative dhe të hetuesisë jashtë Shqipërisë, për shokun Enver armiqtë kishin në plan që në barnat kuruese të zemrës të sillej edhe një bar i kamufluar që përmbante helm”.

“Detyra tonë dhe juaja, – tha ai, – është që të merren të gjitha masat parandaluese që ky bar të mos vijë në Shqipëri”. Unë u habita nga çfarë dëgjova. Natyrisht, e falënderova për informimin, por dhe e sqarova që ne, mjekët e shokut Enver, nuk ishim aspak të përfshirë as në blerjen, as në sjelljen dhe as në dhënien e barnave për t’i pirë nga pacienti ynë. Blerja dhe sjellja e tyre nga jashtë vendit bëhej në mënyrë sekrete, sipas një procedure mjaft të detajuar nga Sulo Gradeci me oficerët e tij të besuar.

Ato dorëzoheshin prej tyre direkt tek infermierja, me procesverbal, dhe pastaj barnat shokut Enver ia jepnin në gojë për t’i pirë infermieret brenda shtëpisë. “Ne mjekët ishim krejt të përjashtuar në këtë proces. Prandaj informacioni vlen për oficerët roje dhe infermieret dhe do e transmetojmë. Kurse ne mjekët vetëm rekomandojmë barnat e duhura, por as i shohim as i prekim ato”. Kur dolëm nga shtëpia e Kadriut, pata përshtypjen se diçka nuk ishte si më parë në sjelljen e tij. Nuk bëri shaka, as na gostiti siç ndodhte shpesh me të.

Herë pas here bënte gjeste nervoze me duar për të shtruar flokët, që të rebeluar i binin përsëri dhe përsëri mbi ballë. Dukej i pushtuar nga një eksitim i fshehtë, i zymtë. Kur dolëm jashtë, mua më lindi një pyetje që më vuri në siklet. Pse po përfshihej Kadriu në çështjet shëndetësore të Enverit, për të cilat, zyrtarisht, person kontakti ne mjekët e Enverit njihnim vetëm Ramizin? A ishte thirrja dhe informimi që na bëri ai iniciativë personale e tij apo ia kishin ngarkuar? Nëse po, cili vallë? Ramizi apo vetë Enveri? Po sikur Enveri të mos kishte dijeni?

A duhej t’i tregoja atij për atë takim? Gjykova se do të ishte me rrezik dhe mund të krijoja dyshime nëse do ta mbaja të fshehtë. Prandaj i propozova me infermieren atë mbrëmje Enverit që ta vizitoja. Ai pranoi. Gjatë vizitës prita se mos më përmendte ai diçka, por nuk më tha gjë. Kur mbarova, infermierja na la vetëm dhe unë, me droje, pa qenë i sigurt sesi ai do ta priste, e vura në dijeni që na pat thirrur shoku Kadri dhe për çka na tha e për çka i thamë.

Ai më dëgjoi pa folur. As u vërejt, as u çel në fytyrë. Nuk tha e di, por nuk m’u duk që u bë kurioz dhe as u çudit. Më pas, kur edhe Kadriu, fill pas Mehmetit, ra një vit më vonë në të njëjtën fatkeqësi, i akuzuar si “agjent rus” dhe u dënua si “tradhtar dhe bashkëkomplotist me Mehmetin”, hamendësova se iniciativa e tij jo e zakontë e asaj dite mbase ishte ndërmarrë prej tij si akt demonstrativ besnikërie dhe ndershmërie ndaj Enverit, duke u investuar personalisht e vullnetarisht ai vetë për mbrojtjen e shëndetit dhe të jetës së tij. Nëse vërtetë ky ka qenë motivi, ajo përpjekje e tij shkoi kot.

Në mesnatën e 9 shtatorit 1983, pas disa muajve në hetuesi, Kadriu do të ekzekutohej në një nga kodrat e Linzës në rrethinat e Tiranës. Ishte i fundit nga ish-anëtarët e Byrosë Politike që po pushkatohej. Ata të tjerët përpara tij i kishte pushkatuar ai vetë. Fjalët e fundit që ai tha ishin: “Jam i pafajshëm”. Por ato nuk patën vlerë. Së bashku me të atë mesnatë u pushkatuan edhe Feçor Shehu gjithashtu ish-ministër i Brendshëm, profesor dr. Llambi Ziçishti, ish-ministër i Shëndetësisë, dhe Llambi Peçini, kuadër i lartë i Sigurimit të Shtetit, i konsideruar mik dhe i preferuari i Mehmetit.

Ky i fundit ishte pa dyshim një nga personalitetet më të kulturuara, më simpatik dhe me integritet të Ministrisë së Brendshme. Ai ishte sharmant, lexonte libra, poema e romane në rusisht, italisht dhe frëngjisht. Kisha miqësi dhe admirim të veçantë për të. Ishte mjaft i pasionuar pas shkrimtarit francez Marcel Pagnol, dhe kishte në bibliotekën e shtëpisë thuajse të gjitha librat e tij: Trilogjinë Marius, Fanny dhe Cesar, librin “Kujtime të vegjëlisë”, “Kështjella e nënës sime” etj., të cilat m’i pati huazuar edhe mua që t’i lexoja. Sidoqoftë, më 18 dhjetor në mëngjes, pasi u mësua vetëvrasja e Mehmetit, fill pas nisjes së Enverit në zyrë atë ditë, me porosi të Nexhmijes, përveç anëtarit të urgjencës së ekipit tonë mjekësor, shkova edhe unë.

Sa herë që kishte situata me adrenalinë të shtuar tek Enveri, masat tona mjekësore forcoheshin. Sulo më vendosi në një zyrë të vogël të Komitetit Qendror të Partisë, shumë pranë asaj të Enverit. Aty isha vetëm. I zhytur në mendime. Në botën e mbyllur të Shqipërisë, ngjarja më e bujshme dhe më e frikshme e asaj kohe sapo kish ndodhur. Mehmet Shehu ish gjetur i vdekur. I gjakosur me një plagë plumbi në gjoks. Dy mjekët e njohur të ekspertizës ligjore, Bashkim Xhuveli dhe Fatos Harito, u sollën menjëherë atë mëngjes në vendin e ngjarjes me detyrë të përcaktonin shkakun e vdekjes.

Ata vërtetuan që plaga në gjoks ishte tejpërshkuese: tipike për plagët e shkaktuara nga plumbi. Dr. Harito e gjeti edhe plumbin të zhytur dhe paksa të shtrembëruar në dysheme, prej nga ai e nxori me një spatul. Vdekja, sipas raportit të tyre, mund të ish shkaktuar nga hemorragjia, meqë plumbi mendohej të kishte përshkruar zemrën, ose aortën apo ndonjë arterie të madhe. Fjala “MUND” në raport u shënua nga dr. Harito, qëllimisht me germa të mëdha, sepse konkluzioni i tyre u bazua vetëm me anë të vrojtimit me sy të trupit nga jashtë dhe të ambientit. Askush nuk e mati sa ato ishin çarë, sepse autopsia nuk u krye. Nuk dihet pse dhe kush (cili?) pat thënë verbalisht (!!) që ajo nuk do të kryhet. Prandaj, shkaku i vdekjes u konkludua bazuar në trupin e shtrirë në krevat me një plagë të vetme të madhe në gjoks dhe një revolver pranë.

Dr. Fatos Harito e zhveshi vetë viktimën. Ai ishte i shtrirë në krevatin e tij ku flinte çdo natë, me pizhamet e zakonshme, por, ndryshe nga ditët e tjera, nuk e kishte zhveshur këmishën që kishte mbajtur veshur atë ditë. Sipas dr. Haritos, kjo ishte shenjë e tërthortë në favor të vetëvrasjes. Ai nuk ishte shtrirë në krevat si zakonisht për të fjetur, por kishte pasur në mendje një tjetër plan.

Dr. Harito i mori viktimës dhe kampione të gjakut, të cilat u analizuan. Ai është shprehur qartas shumë herë që në gjak nuk u gjetën shenja helmi, as të ndonjë substance narkotike apo somnifere që ta kishte vënë atë në gjumë. Gjykuar nga plaga dhe nga trajektorja e plumbit, të dy ekspertët mjekoligjorë janë shprehur të sigurt që Mehmeti është vetëvrarë. Të njëjtat argumente dhe konkluzione për vetëvrasjen si shkak i vdekjes dr. Harito ia ka dhënë hollësisht edhe Bashkim Shehut, djalit të vogël të Mehmetit, i cili pati ardhur posaçërisht nga Spanja, ku banon tani, për ta takuar atë. Sipas raportit të firmosur prej tij dhe dr. Bashkim Çuberit, “viktima në gjoks ka pasur vetëm një plagë dhe jo dy siç gabimisht prej disave pretendohet”.

Ajo që u tha se vulosi gjithçka, qe një letër. Ajo u gjet mbi tavolinën e dhomës brenda një zarfi, sipër të cilit ish shkruar me kaligrafinë autentike të Mehmetit: “T’i jepet në dorë shokut Enver. Askujt tjetër”. Bazuar në faktet e mësipërme dhe në analizën e rrethanave, në të cilat ai u gjend pa shpresë dhe pa rrugëdalje, edhe bindja ime është se Mehmeti u vetëvra. Kjo jo për pasojë të dobësisë apo krizës nervore.

Besoj se atë akt ai e kreu me mendje të kthjellët, si tentativë e fundit dhe e vetme për të shpëtuar në këmbim të ndarjes vullnetare nga jeta familjen e tij dhe disa vlera e merita personale dhe shtetërore shumë të shtrenjta për të. Atë ditë binte një shi i dendur, i mërzitshëm dhe herë-herë me vrull nervoz, inatçor. Nga dritarja shihej përballë ndërtesa e Kryeministrisë, e ndërtuar para Luftës nga italianët.

Mehmeti kishte “mbretëruar” në të për 27 vite rresht. Eleganca e linjave arkitekturore të saj dhe mermeri me ngjyrë qetësuese, të çelët, si një trëndafil i bardhë në rozë, bënte kontrast me stilin e zymtë, sovjetik, me kolona me harqe e korniza të shumta dhe ngjyrën nxitëse dominuese të kuqërremtë të ndërtesës përballë stil fortesë të Komitetit Qendror të Partisë, ku ndodhej zyra e Enver Hoxhës, e ndërtuar në kohën e miqësisë me Bashkimin Sovjetik. Atë ditë, të ndryshëm e të ndarë, si edhe dy ndërtesat, qëndronin përballë njëri-tjetrit, Enveri i nxehur i zemëruar dhe Mehmeti i ftohtë, i ngrirë, i gjakosur, i pajetë. Mes tyre, i heshtur, në shenjë pikëllimi, shtrihej shiriti i gjerë i zi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

“Kur Enver Hoxha zbuloi ‘armikun’ e ri brenda zemrës”- Isuf Kalo: Porosia që na dha Nexhmija dhe biseda me Hysni Kapon

FURTUNA E PARË

Në të vërtetë “klithmën” e parë serioze të sëmundjes ishemike, zemra e Enverit e pati dhënë gjatë orëve të natës në mesin e korrikut 1973, ndërkohë që ai po pushonte në plazhin e Durrësit.

Unë kisha vetëm pesë ditë që isha emëruar dhe ardhur aty si mjek i tij. Sulo Gradeci më pati vendosur aty pranë në një dhomë pa telefon të “stabilimentit”, siç quhej vendi, ku në mbrëmje udhëheqësit mblidheshin pasditeve vonë për biseda dhe kafe.

Me kërkesë të Nexhmijes, në orën dy të natës, më zgjoi i alarmuar Fahriu, një djalë i ri 23-vjeçar ndihmësmjek dhe njëkohësisht oficer shoqërues i Enverit dhe të dy bashkë u drejtuam me vrap për në vilën e tyre, rreth 100 metra më tutje.

Aty kishim çantën e ndihmës së shpejtë dhe një aparat portativ elektrokardiograme. U ngjitëm me një frymë në katin e dytë dhe e gjetëm Enverin në dhomën e gjumit, të shtrirë gjysmëndenjur në shtrat, kurse Nexhmijen të ulur përballë tij në një divan me një libër në duar. Ai dukej i qetë dhe madje kërkoi falje për shqetësimin në atë orë të vonë, por “ç’t’i bëjmë Nexhmijes që alarmohet”, tha.

Nexhmija shpjegoi se ai ndiente një shqetësim të zgjatur si dhembje dhe përzierje, “një indixhestion në bark”, siç u shpreh ajo, që nuk po e linte të flinte dhe nuk po i qetësohej me gjithë barnat për tretje të ushqimit që ajo vetë ia kishte dhënë, ndërsa na tha se na thirri se mos kishim diçka më të fortë e më efektive. Unë i kërkova leje pacientit nëse mund ta ekzaminoja.

Ai u bind menjëherë. Ishte vizita e parë dhe hera e parë që vija dorë në trupin e tij. Zemra e tij rrihte mirë (imja rrihte edhe më fort!), por barku ishte i butë, pa meteorizëm dhe pa dhimbje në prekje. Aso kohe Enveri ishte 65 vjeç, me mbipeshë të dukshme trupore, duhanpirës “i egër” (80 cigare në ditë), i sëmurë me diabet të shfaqur prej 25 vitesh, që bënte jetë sedentare, pa aktivitet fizik dhe me stres të vazhdueshëm në punë. Ekzaktësisht me të tillë faktorë rrezikues për zemrën pati vdekur papritur nga infarkti i miokardit në moshën 52-vjeçare Gamal Abdel Naseri, President i Egjiptit. Ngjashëm me të edhe Gogo Nushi, tre vjet më parë në moshën 57-vjeçare, me të njëjtat rreziqe dhe diagnoza edhe ai.

Çdo mjek që kishte në dispozicion një aparat elektrokardiogram për t’ia regjistruar zemrën në atë çast nuk do e humbiste këtë rast. Për të zbuluar nëse ajo çka ai ankohej kishte lidhje me isheminë në zemër apo jo, së paku ajo diagnozë si më e rrezikshmja duhej verifikuar. Prandaj, me droje apo thuajse si lutje i propozova t’i bënim një elektrokardiogram. Nexhmija kërceu nga vendi e habitur. “Jo doktor,- tha,- Enveri nga zemra nuk ka pasur asnjëherë problem (e ka zemrën çelik i kishin thënë asaj dhe atij duke i uruar gjithmonë)”. Por çuditërisht ai vetë miratoi me dashamirësi. “Po mirë e bëjmë kur të kthehemi në Tiranë”, tha ai, duke iu referuar asaj që kishte bërë gjatë kontrolleve periodike me aparatin stacionar në klinikën speciale. “Ajo ka vlerë më të madhe kur bëhet gjatë çasteve të shqetësimit”, guxova ta sqaroja unë. “Po na lejuat, mund ta bëjmë edhe tani”.

“Tani? Këtu?”,- pyeti i çuditur ai? “Po, me një aparat portativ që e kemi poshtë”. Ai pa nga Nexhmija dhe e neutralizoi reagimin, me shumë të ngjarë, refuzues të saj. Ajo dukej e bindur që po bënim një procedurë munduese dhe të panevojshme për të. (Në fakt, ajo mund të rezultonte edhe si e tillë). Por pacienti na inkurajoi: “Mos t’ia prishim doktorit, Nexhmije, – i tha asaj, – se është i ri dhe e ka sefte”. Nexhmija heshti e pakënaqur, besoj dhe e penduar që më kishte thirrur. Fahriu zbriti në katin përdhes dhe solli aparatin e elektrokardiogramit. Për dreq, ne të dy me Fahriun patëm ca vështirësi dhe peripeci teknike deri sa e regjistruam, sepse në atë dhomë nuk bëhej dot tokëzimi i duhur për aparatin. Por teksa shihja çfarë po regjistrohej, mendova se kisha ardhur me këmbë ters. Elektrokardiogrami nuk po tregonte “zemër çeliku”. Në të kishte shenja të freskëta të ishemisë.

“Eh, çfarë shkroi?”, pyeti Enveri kurioz. Unë u turbullova. Duhej t’ia thosha të vërtetën? Përndryshe si do t’ia argumentoja masat e duhura të mëtejshme dhe mjekimin? “Ka ca ndryshime që duhen verifikuar me ato të mëparshmet dhe në vazhdim”, i thashë. Ai nuk m’u duk i alarmuar. Vetëm se e mori shiritin prej letre në duar dhe e pa ngultas disa çaste vetë. Po përpiqej të shquante në ato “hieroglifë” të shkruar aty “armikun” e ri, të paparashikuar të fshehur brenda zemrës së tij. I dhamë një tabletë nën gjuhë dhe një tjetër që e piu, sa kohë ishim aty. Ne u larguam nga dhoma, por jo nga vila e tij. Qëndruam në pritje dhe gatishmëri gjatë gjithë natës në katin përdhes. Unë i trembur lutesha me vete që gjendja të mos përkeqësohej, kurse Nexhmija nuk e besoi ose nuk ia donte zemra ta besonte që Enverit sëmundja i kishte prekur zemrën. Prandaj, duke na përcjellë jashtë derës, ajo na porositi: “Mos bëni alarm”. Në fakt, Enveri duhej vendosur që atë natë në monitorim të vazhdueshëm, sepse situata mund të keqësohej në mënyrë të papritur.

Sidoqoftë, teknikisht kjo ishte e pamundur. Mungonin mjetet, sepse kjo situatë nuk ishte parashikuar. I ndodhur larg Tiranës dhe pa monitorim të pandërprerë të situatës në zemër, jeta e Enverit atë natë ishte seriozisht e rrezikuar, ose e thënë më saktë ishte në dorë të fatit. Nuk kishim monitor, as defribilator, as ambu, as oksigjen, as specialist kardiolog, as reanimator për të ndërhyrë dhe shpëtuar jetën në rast infarkti të gjerë. Nexhmija nuk ishte koshiente për rrezikshmërinë e gjendjes, as për mangësitë që pengonin jetëshpëtimin. Zemra nuk kishte qenë në axhendën e shqetësimeve madhore shëndetësore të tij. Prandaj ajo na tha të mos alarmonim askënd nga udhëheqja gjatë natës, as të sillnim me urgjencë mjekë të tjerë.

Atë natë, i shokuar mallkova veten që isha bërë mjek, si edhe fatin që më kishte sjellë në një terren të tillë të minuar, me aq shumë rreziqe. Por Sulo Gradeci që ishte zgjuar dhe po na priste i shqetësuar në katin përdhes të vilës, më tha: “Nëse të duhen mjekë të tjerë, më thuaj që t’i sjell të gjithë gjatë natës menjëherë”. Kërkova së paku profesor Fejzi Hoxhën që i kishte ndjekur prej shumë vitesh problemet shëndetësore të Enverit, si dhe dr. Nikolla Shurbanin, shefi i kardiologjisë, që pati qenë përpara meje gjatë disa viteve mjek personal i Enverit. Suloja nisi me urgjencë menjëherë shoferin Myslym Kore dhe rreth dy orë më pas të dy kolegët e shquar ishin prezentë me mua aty. U ndjeva i lehtësuar. Ata i vlerësuan po ashtu ndryshimet në elektrokardiogram dhe mjaft të rrezikshëm episodin e ishemisë së freskët.

Atë natë nuk fjetëm. Pati një shtrëngatë shiu me rrebesh, me vetëtima dhe bubullima që gjëmonin frikshëm. E gdhimë me zemër të ngrirë në pritje atë natë së bashku me profesorët e mi, të pafuqishëm të bënim më shumë. Të nesërmen në mëngjes pacienti u zgjua pa shqetësime. Ai pranoi ta vizitonim të tre së bashku. Elektrokardiogrami i mëngjesit ishte disi më mirë. Së paku, nuk tregonte përkeqësim. Enveri filloi që atë ditë mjekimin me koronarodilatator të asaj kohe. Disa ditë pas atij episodi, Enveri u shpërngul për pushime nga Durrësi për në malin e Dajtit.

Një ndalesë disaorëshe në Tiranë e shfrytëzuam për t’i vlerësuar gjendjen e zemrës dhe elektrokardiogramet me dr. Ylli Popën, dr. Hajro Shytin dhe dr. Ahmet Kamberin, të tre kardiologë, të cilët e vlerësuan shqetësuese situatën e re të krijuar. Në Dajt, si mjek e shoqërova vetëm unë. Nuk pati kriza të reja. Kriza serioze në të cilën u evidentua infarkti i miokardit ndodhi me 16 tetor 1973, pasi ai priti një numër të madh personash që e uruan me rastin e 65-vjetorit të lindjes së tij.

JETA NË RREZIK

Në elektrokardiogramin që i bëra në mbarim të vizitave pasdite vonë, shenjat e ishemisë ishin më të dukshme. U dha alarmi. U mblodh brenda orës konsulta dhe Enveri u vendos për disa muaj në regjim shtrati. Ishte hera e parë që kjo po i ndodhte në jetë. Asokohe ai ndodhej me banim në Vilën nr. 4, brenda territorit të Pallatit të Brigadave, sepse vila e tij në Bllok ishte në rikonstruksion dhe zgjerim. Konsulta e zgjeruar mjekësore aty përbëhej nga profesor Fejzi Hoxha, profesor Petrit Gaçe, kardiokirurg, profesor Nikolla Shurbani, dr. Ylli Popa, dr. Hajro Shyti, të tre kardiologë, ndërsa unë dhe profesor Hoxha diabetologë. Konsulta qëndroi ditët e para vazhdimisht e mbledhur në gatishmëri në ndërtesën e shkollës së Ministrisë së Brendshme, pak metra larg Vilës nr. 4. Unë dhe Fahriu u vendosëm në gatishmëri ditë e natë brenda vilës, përballë dhomës ku ishte në shtrat Enveri për të ndërhyrë në çdo moment, si dhe për të informuar grupin tjetër për çdo gjë të re.

Ndërkohë, pacienti ekzaminohej herë prej profesor Hoxhës e dr. Popës, ndonjëherë edhe dr. Shurbanit, të cilët i shoqëroja edhe unë. Kurse zbatimin e mjekimeve të rekomanduara nga konsulta i kryenin atje dy infermieret, Kostandina Naumi dhe Afërdita Milori, të cilat ndërroheshin mes tyre çdo 24 orë brenda vilës. Me gjithë masat e marra, ishemia në zemër disa kohë avancoi, çka na detyroi të kërkonim të na vinin në ndihmë kolegë më të specializuar nga jashtë.

Kërkesa u bë më e domosdoshme pas një episodi të vështirë përkeqësimi, që ndodhi më 4 janar 1974. Natën, në të gdhirë, ai pati vështirësi në frymëmarrje dhe në elektrokardiogram iu shfaq për herë të parë aritmia, rrahje të çrregullta të zemrës. Gjendja u dominua shpejt me mjekim intravenoz dhe me oksigjen, por ky episod sinjalizonte avancim të sëmundjes ishemike dhe instalimin e një situate të re me rreziqe imediate për jetën e të sëmurit. Kërkova takim urgjent me Hysni Kapon. Shkuam të dy me dr. Ylli Popën, kardiologun më të mirë që kishim. Hysniu na priti në shtëpinë e tij në Bllok. Për karakterin sekret të bisedës, ai na ftoi të dilnim të tre jashtë në kopshtin përreth shtëpisë së tij.

Lashë Yllin të fliste: “Situata është alarmante, nuk dihet çfarë rruge merr. Episodi që ndodhi, ishte vetëm një fllad përpara furtunës që mund të pasojë”, tha ai. Hysniu dëgjoi i heshtur, i përqendruar. “Nuk e mbajmë dot vetëm ne përgjegjësinë. Na duhen ekspertë nga jashtë”, vazhdoi Ylli. “Nga jashtë, nga? – pyeti Hysniu. – Në Perëndim nuk hapemi dot”. “Fundja nga Kina”, tha Ylli. Ai kishte qenë pak kohë më parë në Kinë dhe kishte takuar atje një profesor kardiolog të zotë. “Mirë mo, mirë, por punët as me ata nuk janë siç i dini ju”, u përgjigj në dilemë Hysniu. Sidoqoftë, erdhi një grup mjekësh kinezë me në krye prof. Çu, drejtues i klinikës në Kinë, ku unë dhe dr. Hektor Peçi u specializuam në vitet 1965-1966.

Kur rreziqet afatshkurtra u kapërcyen dhe situata në zemër u stabilizua, në fillim të pranverës së vitit 1974, Enveri kërkoi të largohej nga Vila nr. 4 dhe të kthehej në vilën e vjetër të tij në Bllok, edhe pse punimet në pjesën e re shtesës së saj ende nuk kishin përfunduar. Ai u largua prej asaj ndërtese që ishte “burgu” i parë dhe i vetëm i jetës së tij. Dukej sikur duke ikur prej aty i ikte tersit. Por në ata muaj aty, mbyllja, sëmundja dhe rreziku apo hija e vdekjes që herë-herë i shfaqej atij, ndoshta e bënë atë më të ndjeshëm, më njerëzor, por herë të tjera edhe më të acaruar.

Një herë, ai u soll i tillë me zemërim edhe ndaj kolegëve kinezë, të cilët i binin rrotull e rrotull ndonjë prej pyetjeve të tij pa u shprehur qartazi. Mbase acarimi me ta ishte dhe me kontekst politik e lidhur edhe me zhgënjimin që ai pati nga ndryshimi radikal i qëndrimit të Kinës ndaj “imperialistëve amerikanë”, me vizitën e vitit 1972 të Presidentit Nikson dhe takimin e tij me Mao Ce Dunin. Mund të ishte edhe dëshpërim, meqë tani miqtë e pasinqertë kinezë dinin hollësira për rreziqet e jetës dhe shëndetin e keq të tij dhe mund të kishin nisur të thurnin fshehtas plane për ta zëvendësuar me miq të tyre më të rinj, më të shëndetshëm dhe më të bindur ndaj tyre.

I zhgënjyer politikisht dhe ideologjikisht me ta, ai mbase do të kishte dashur t’i pështynte me inat udhëheqësit e tyre në fytyrë për braktisjen e marksizëm-leninizmit, por i mbërthyer në shtrat, i pafuqishëm nga sëmundja, detyrohej t’u buzëqeshte dhe t’u thoshte faleminderit mjekëve të dërguar në ndihmë të tij prej tyre. Ai shndërrohej në një person më të qetë e shpirtërisht më të ndjeshëm kur, me mendje dhe shpirtërisht, dilte jashtë rrethit të sëmundjes, të politikës dhe çështjeve të pushtetit. Rastiste rrallë që Nexhmija, kur i duhej të largohej ca orë për ndonjë angazhim zyrtar të paevitueshëm, të më thoshte (meqë isha brenda vilës) se mund t’i afrohesha vetë edhe pa më kërkuar ai për ta pyetur ose hapur ndonjë bisedë apo shoqëri me pacientin.

Enveri në çaste të tilla ishte më i natyrshëm dhe më i relaksuar. Mbase dhe ai, i izoluar nga sëmundja kishte nevojë të fliste e të komunikonte si ne të gjithë. Kështu pata rastin, teksa bënte hapa brenda dhomës së tij, në atë të bibliotekës ose përgjatë korridorit, të më tregonte për çështje a tema jashtëmjekësore; një herë për Horlën, novelën e fundit të çuditshme të Gi de Mopasanit (meqë më pa një libër me novela të shkurtra të tij në dorë). “E ke lexuar Horlën,- më pyeti. Të pëlqen?”.

Unë deri atëherë nuk e kisha lexuar atë novelë. Ai tha që ajo ishte krejt e ndryshme nga krijimtaria tjetër e autorit. Kuptova që i kishte lënë mbresa, por nuk e pyeta se pse subjekti i saj, siç e mësova më pas, ishte si parapsikologjike, me ca specie misterioze jashtëtokësore të padukshme, të ardhura nga botët e përtejyjeve, të afta të hynin në trupa njerëzorë dhe t’i dominonin e komandonin ata. Gi de Mopasani e pat shkruar atë në fund të jetës së tij, kur po kalonte një fazë depresioni me “humor të zi”. Ishte përjetimi i një gjendjeje të ngjashme shpirtërore, shkaktuar nga sëmundja dhe “izolimi” brenda vilës, që ia solli edhe Enverit në mendje atë novelë? Një ditë tjetër ai ishte me “humor rozë”.

Më foli me admirim për magjinë (siç tha ai) të tablove të vjeshtës së Vangjush Mios. Njërën prej tyre ai ma tregoi me adhurim të varur në murin e dhomës së bibliotekës. Tha se i jepte kënaqësi të veçantë vjeshta. Herë pas here, pasi ngrihej nga shtrati, ai shihte përtej xhamit të dritares jashtë gjethet e zverdhura dhe të kuqërremta të pemëve, të cilat i kundronte në heshtje për minuta të tëra me sytë e ngulura në to. Një herë tjetër, tek çapitej nëpër dhomë dhe në korridor me një magnetofon të vogël në dorë prej nga dilte një muzikë klasike simfonike, më pyeti nëse e pëlqeja muzikën klasike.

I thashë se e njihja shumë pak, vetëm disa arie a melodi të famshme. Ai më foli për gjenialitetin dhe shurdhësinë, por edhe për forcën këmbëngulëse, të paepur të Bethovenit. Iu referua librit biografik të Romain Rolandit, i cili me sa dukej e kishte frymëzuar dhe shtuar optimizmin për ta kaluar sëmundjen e tanishme dhe për të vazhduar i papenguar veprimtarinë. E fundit që më pati lënë mbresë në ato pak çaste bisedash vetëm me të në ata muaj, ishte një ngjarje që ai më tregoi për Leninin, për ndjeshmërinë dhe kujdesin “mallëngjyes” të tij ndaj kushteve të punës dhe jetesës së shkencëtarëve.

“Një herë, duke udhëtuar me shoferin e tij,- tha ai,- në një zonë ku jetonte mjeku fiziologjist Ivan Petroviç Pavllov, fitues i çmimit ‘Nobel’, Lenini i tha shoferit të pushonte së rëni borisë, mos të bënte zhurmë, sepse nuk duhej të shqetësohej shkencëtari i madh i shquar që jetonte aty pranë”. Duke ma treguar këtë ngjarje, atij vetë nuk di pse i ndryshoi zëri dhe m’u duk sikur u përlot! Interesante ishte që ai këtë histori ua tregoi, pas një konsulte që i bënë, edhe mjekëve kinezë. Ndoshta, për t’u konfirmuar mirënjohjen dhe respektin dhe për të korrigjuar ndonjë përshtypje pakënaqësie, që ai u pati shprehur atyre në çaste nervozizmi, të lidhura me gjendjen jo të zakontë psikologjike të tij.

Enveri u largua nga Vila nr. 4 pa kthim, sikur të kishte qenë ajo fajtore, ose tersi për sëmundjen dhe shkëputjen e përkohshme të padëshirueshme të tij nga ushtrimi i pushtetit. Edhe pse ai erdhi shumë herë më pas për shëtitje në ca rrugica brenda territorit të Pallatit të Brigadave, të bëra enkas nga Sulo Gradeci për të, ai asnjëherë nuk iu afrua dhe nuk ia hodhi sytë asaj vile të “mallkuar”, që ruante brenda saj kujtime të çasteve me pasiguri të frikshme të përjetuara aty.

Ajo u dënua me harresë. Ndryshe nga kasollja e Galigatit, nga shtëpitë e Konferencave të Pezës e Labinotit, shtëpia e Bije Vokshit dhe ajo e formimit të Partisë Komuniste në Tiranë, Vila nr. 4, në mes të pemëve me gjethe të verdha dhe të kuqërremta, nuk u përmend në histori, nuk u vu në të ndonjë pllakë përkujtimore me shkrimin: “Këtu u përball disa muaj me sëmundjen dhe ia doli t’i shpëtonte rrezikut të vdekjes Enver Hoxha”.

Mjeku i Enver Hoxhës tregon sekretet e Bllokut: Nuk ishin ndryshe nga ne

Pa e ditur, ai u bë një nga njerëzit më të besuar të diktatorit shqiptar. Enver Hoxha kishte vendosur shëndetin në duart e tij. Isuf Kalo ka kaluar vite të tëra mes njerëzve të udhëheqjes, ka parë nga afër jetët e tyre dhe si mjek i Klinikës Speciale të Bllokut, ka kaluar kartelat e tyre shëndetësore dhe ua dinte të gjitha sëmundjet.

Ka hyrë në shtëpitë e tyre, ka parë si jetonin dhe ka ndjekur me vëmendje gjithë lëvizjet politike, që, me shumë gjasë, ecnin në mënyrë paralele edhe me shëndetin e udhëheqësve kryesorë, e më së shumti Enver Hoxhës. Ashtu si kishte premtuar, mjeku i shquar vendosi që kujtimet e tij t’i hedhë në libër. E ka titulluar “BllokuRrëfimet e mjekut personal të Enver Hoxhës”, një botim i “UET Press”, i promovuar dje në mbrëmje. Kishin ardhur në këtë ceremoni më së shumti kolegët e Kalos, mjekë të njohur shqiptarë, mes të cilëve nuk mund të mungonte edhe doktor Sali Berisha.

Por kishte edhe shumë politikanë e gazetarë, që kishin ardhur për të ndarë këtë moment me të. Sipas prof. Fatos Tarifës, përmes këtij libri, Kalo na zbulon Bllokun, që kushdo mund ta shihte nga jashtë pa e prekur. “Prof. Kalo e merr lexuesin në labirintet e panjohura të Bllokut për të shpjeguar se si funksionoi diktatura komuniste në Shqipëri dhe cila ishte hierarkia e atij sistemi”. Ndërsa Luçiano Boçi do të shprehej se në këtë libër Kalo bën diagnozën jo vetëm të sëmundjes së Enver Hoxhës, por edhe të vetë diktaturës, të cilat ecnin paralelisht. “Diktaturat kanë marrë formën e sëmundjeve të diktatorëve.

Sa më shumë përkeqësohej shëndeti, po aq edhe sistemi”, tha Boçi, duke e quajtur Bllokun një lloj “Ferr-parajse”, që bashkë me joshjen solli edhe fundin tragjik të shumë njerëzve që hynë në të. Sipas tij, ky libër, në të cilin gjen krimin politik, vëllavrasjen, por edhe dashuritë e ndaluara, i drejtohet një lexuesi të gjerë, jo vetëm atyre që e kanë jetuar, por edhe të rinjve që duan të dinë anatominë e trurit të diktaturës.

Për botuesin Henri Çili, ky libër është “një rrëfim dhe refleksion për një kohë shumë më të gjerë se ajo e mjekut të diktatorit dhe diktatorit pacient. Ka një unicitet që nuk mund të ndodhë për herë të dytë, sepse shumë pak njerëz kanë pasur rastin të ishin mjekë personalë të diktatorit dhe shumë pak njerëz kanë vizionin dhe pozitivitetin e tij”. Vetë Kalo, duke qenë se shumëçka e ka thënë në libër, më së shumti do të falënderonte të pranishmit, botuesit, kolegët, njerëzit që e kanë nxitur e ndihmuar në botimin e këtij libri.

Ndërsa në parathënien e librit, duke iu referuar Bllokut dhe bllokmenëve, thotë se: “nuk kam pasur asnjë post qeveritar, as kam qenë ‘kuadër i nomenklaturës së lartë’ partiake, parlamentare e kushtetore, por kam qenë mjek dhe u kam shërbyer profesionalisht shumë prej tyre. Gjatë gati katër dekadave, falë veprimtarisë profesionale, i kam takuar edhe njohur nga afër ata. I njoha në jetën personale e familjare, ua preka trupin, ua dëgjova ankesat, dhembjet, dëshirat, bisedat, shakatë, e natyrisht edhe rrahjet e zemrës, frymëmarrjen apo kollën. Ato nuk ishin ndryshe nga tonat”.

“RILINDJA” SHQIPTARE ASHT TURPI I BALLKANIT EUROPIAN – Nga Fritz RADOVANI

 

 

KUSH QEVERIS JU TREGON SHESHI  SKENDERBEU  NË  TIRANË 2017

“O Perendi,a ndjeve ?
Tradhtarët na lanë pa atdhe
e Ti rri e gjuen me rrfé
lisat n’per male kot …” At Gjergj FISHTA O.F.M.

1912 – 13 “Rrethimi i Shkodres” Esad Pash TOPTANI… Vrau Hasan Riza Pashën dhe i dorzoi Shkodren malazezve të Krajlit, e mbasi Esad Pasha mbushi xhepat, iku…

1913 – 1915 Konferenca e Ambasadorve në Londer shpallë Shtetin e Ri Shqiptar…

Traktatet e mëshefta per coptimin e Trojeve Shqiptare… Kufijt e Shqipnisë kudo kalojnë në Trojet Shqiptare tue lanë jashtë krahinat ma të njohuna historikisht të tonat.

1919 Turhan PASHA braktisë Delegacionin e Konferencës së Paqës në Paris…

24 DHJETOR 1924 Ahmet ZOGU mbas nenshkrimit traktatit me Pashiqin, ku i jep Jugosllavisë Kelmendin dhe Krahinen e Shen Naumit, i shoqnuem nga Vrangelistët rus ka hy në Tiranë dhe, qeveritarët e Fan Nolit ikën nga Shqipnia. Fillojnë vrasjet…

1926 – 1927 Kryengritja e Dukagjinit dhe shtypja e saj me masakra të panjohuna…

7 PrILL 1939 Shqipnia okupohet nga Italia fashiste. Zogu mbushi xhepat e iku…

8 NANDOR 1941 Jugosllavët Dushan Mugosha e M. Popoviq, formojnë në Shqipni Partinë Komuniste “Shqiptare” tue i besue drejtimin e saj tiranit Enver Hoxhës…

1943 Në Shqipni hyjnë forcat naziste gjermane. Lufta civile ka pushtue Shqipninë.

29 NANDOR 1944 Forcat ushtarake gjermane dalin nga Shkodra… Shqipnia u pushtue nga sllavokomunistët e Titos ku, u vendos diktatura. Fillojnë masakrat e Veriut.

SHKURT 1945 Konferenca e Jaltës e len Shqipninë nen sundimin Jugosllav e Rus…

11 JANAR 1946 Shpallet “Republika Popullore e Shqipnisë” drejtue nga E.Hoxha,

“Hero i Popujve të Jugosllavisë”, mik i Stalinit e “Revolucionar i 1967” së Mao Ce Dunit.

1946 Në Degen e Punve të Mbrendshme të Shkodres formohet “Seksioni Katolik”…

11 PRILL 1985 Vdes diktatori i pashoq E. Hoxha. Me 13 e zevendson Ramiz Alia…

Fitimet në 40 kampet e shfarosjes e internimeve të kudondodhuna në Shqipni, diktatorët i rezervojnë ndër banka, per trashigimtarët miljarderë të drejtuesve të “Shtetit Shqiptar”.  

1992 Pasohen nga Sali Berisha.., sot vazhdon Edi Rama, Ilir Meta…Kur asht “çliruar” e dijnë “prof. Dr., historianë e akademikë”.., pushtuesit turq, sllav, italian, gjerman, grek, rus, malazez, serb e tradhtarët e Atdheut… Vllavrasës skllavnues të Shqiptarëve rrethue në tela me ferra, që tue mbushë xhepat e tyne të paprekshem, vrapojnë nga Lindja…

Lufta kunder kenjes së Shqipnisë: Shtet Europjan po vazhdon… Turpi i Shek. XXI..!!

                 Melbourne, 15 Korrik 2019.

BISEDIMET E KSHILLIT KOMBTAR – LEGJISLATURA E PARË – Mbledhja e 50-të – Nga MUSTAFA KRUJA

 

Mbledhja e 50-të E hënë, më 19 shtatuer 1921, ora 3.15 mbas dreke

 

  1. M. Kruja: Kjo çâshtje më duket se u shpjegue mjaft, vetëm due të flas mbi përjashtimin e disa Prefekturavet : po thuhet se duhet të përjashtohen Shkodra, Saranda e Himara. Sa për Shkodrën, un kisha me thânë se po t’ishte qi të pranojmë an prensip përjashtimin, të përjashtohet skela e Shëngjinit dhe jo Shkodra. Unë thom përjashtimi nuk âsht i nevojshëm. Sikur të kishin nevojë Korça, ose b. f. Malësi e Gjakovës, për me importue drithë, nga Greqija a Jugosllavija, ndoshta do të shtërngoheshim t’a bâjshim këtê përjashtim, por Malësi e Gjakovës mban 4 ditë prej detit, e harxhet e transportit do të ishin aqë të rânda, sa nuk do t’a vijte barra qiranë. Por, përjashtimin e Sarandës, të Himarës e të Shkodrës, nuk e shoh t’ arësyshëm pse viset qi prodhojnë drithë i kanë shumë afër. Saranda b.f. skelën e Vlorës e ka 5 sahat larg, e besoj se gjinokastritët do të paguejnë pak santim mâ tepër për të bartun drithët prej Vlone kur t’a dinë se paraja do të mbetet në Shqipní. Prandaj jam kundra përjashtimit të këtyne viseve. Edhe z. L. Gurakuqi më duket se po përkrah përjashtimin, por me nji konditë qi t’a sjellë Qeveríja e jo tregtarët. Un them se po t’a sjellë vetë Qeveríja nuk âsht nevojë të bâjmë përjashtime se ajo mund t’a nxjerrë ku të dojë. Qeveríja e ndau simbas nevojavet të vêndevet ; në paftë se mungon nji vêndi merr nga njani vênd dhe e shpje. Sikurse tha dhe z. Ali Këlcyra nuk jemi specialistë për të caktue taksën qi duhet t’i vêhet bereqetit; pra nuk mund të flas, e pranoj projektin e Qeverísë pa kundrështim ose projektin e K. të Finansave për ç’i përket këtij caktimi. Flas sikurse keni folë dhe Z. e Juej pse nuk kemi ardhë këtu me folë çâshtje ditunije, po si m’a merr mêndja, vetëm due qi taksa të jetë njisoj për të gjithë Shqipnínë, se përjashtimi në sŷtë e popullit do të njihet si nji favor q’u bahet disa krahinavet. Ka dhe nji çâshtje tjetër e cila âsht fuqíja retrore aktive e këtij projekti qi lipset të vêndohet më nji art. tjetër, d-m-th, qi t’i merret taksa dhe atij mallit qi âsht importuem e qi gjîndet i depozituem tue j’u caktue koha dhe mënyra, dhe Qeveríja tue shqyrtue dëftesat e doganave do të dijë sa mall sjell secili tregtar. Të kërkojë prej këtyne t’i njoftojnë sa kanë shitun, të kërkojë depot sa ka gjithë kush, dhe t’u caktojë qi kanë edhe mâ të pagojnë. Atyne qi do t’i gjindet mall i depozituem pas kësaj kohe t’i sekuestrohet. Me nji art. tjetër Qeverija ka lânë vetëhen të lirë për me ulë taksën kur t’a shohë të nevojshme. Megjithqi mund të sjellë ndonji konfuzion, unë nuk jam kundrështar.

 

  1. M. Kruja: Ku âsht pa se në skelat e nji Shtetit të merren taksa të ndryshme! Nuk duhet qi krahinat e Shqipnís të duken si shtet më vedi, skelat e Sarandës, të Shkodrës e të Himarës të paguejnë 18% e të tjerat 25%. Përpara dâmit politik e moral kisha me pranue paksimin e taksës në të gjitha skelat, sa dy taksa në skela të ndryshme, e për skelat e Shkodrës, Sarandës e Himarës të rritet pak sasija e caktueme edhe për skelat e tjera t’ulet, kështu qi mund të gjindet nji cak për të gjitha skelat njisoj.

Bahen 5 minuta pushim, e mas 5 minutash mledhja mbështiellet prap.

 

Këndohet urdhni i ditës i z. M. Krujës, i cili âsht ky :

Tue marrë para sŷsh arsyet qi kanë shtŷmë Komisionin e Financavet në përjashtimin e skelavet të Shkodrës, të Sarandës e të Himarës, tue e ulun taksën e drithit në tarifën e zakonshme, K.Kombëtar pranon projektin e Qeverís, përsa i përket miellit e të lashtavet, si edhe të grunit, përveç kallamoqit, të cilit i vêmë 25 % taksë për të gjitha skelat e Shqipnís.

Pranohet me shumicë (31 vota)

  1. M. Kruja: Sa për retroaktivitet sikurse thashë dhe mâ parë Qeverija të marrë taksë vetëm prej atyne malleve qi ndodhen të depozitueme. T’u vêjë nji afat tregtarëvet qi të kallëzojnë mallin qi s’kanë shitun, prej së cilës do të marrë taksë, dhe n’âsht se pas rrjedhjes të këtij afati vërtetohet se tregëtarët kanë dhe mall të mshehun Qeverija të ketë të drejtë t’a sekuestrojë.
  2. Kryeministri : Nëpër doganat e dijnë sa hŷjnë në kohën normale, dhe në shohin qi ka nji sasí mâ të naltë që kurse âsht paraqitun projekti, kuptohet se tregtarët e kanë bërë me qëllim porosínë dhe taksojmë tepricën.
  3. M. Kruja: Pyes Z. Kryeministër se ç’kupton kohë normale. Kjo mënyrë do të sjellë shumë ngatëresa dhe mua më duket e pazbatueshme.

 

  1. M. Kruja. Formulon artikullin kësisoj : Kjo ligjë ka fuqi prapavepruese për të gjith’ato sasi qi do të gjinden ndër tregëtarë të pashitun, në qoftë se vërtetohet me regjistrat e doganës qi kanë hŷmë prej së jashtmit, dhe shton qi n’art. 2 në vênd qi të thuhet Qeveria ruan të drejtën, të thuhet, Qeveria autorizohet. Pranohet mbas kësaj ligje formulohet kësisoj:

Ligjën mbi taksat e miellit, kallamoqit e të lashtës qi hŷjnë në Shqipní nga jashtë.

Art. 1) Mielli dhe të gjithë drithënat e të lashtat si gruni, elbi, okëra, e fara e linit qi hŷjnë në Shqipní nga jashtë, do të paguejnë 45% taksë doganore nga çmimi i tyne përveç kallamoqit i cili do të paguejë taksën 25% për të gjitha skelat e Shqipnísë.

Art. 2) Qeverija auktorizohet qi kur të shohë nevojë t’a shesi taksën e përmêndun në nenin 1.

Art. 3) Kjo ligjë ka fuqi prapavepruese për të gjitha ato sasi qi të gjinden nëpër tregëtarë pa u shitun, në qoftë se vërtetohet me regjistrin e doganës qi kanë hŷmë prej së jashtmi.

Pranohet.

 

  1. M. Kruja: Z. Kryetar, meqênëse çâshtja për né ka nji rândësi, dëshirojmë qi kryeministri vetë të vijë dhe t’ na apë shpjegime.
  2. K. Tasi : Me qênë se kjo çâshtje i përket M. P. të brêndëshme jam i delegue nga ana e kryeministrís me dhânë shpjegime.
  3. H. Kadri : Kjo âsht nji punë q’i përket M. Luftës, prandaj Kryeministri lipset qi të vijë dhe t’na japë shpjegime.
  4. M. Kruja: Kur e bana këtë proponim e dinja se kjo çâshtje i përkitte Kryeministrit mbasi ka të bâjë me tê edhe Ministríja e luftës, edhe Ministrija e drejtësís. Kur u bâ ky proponim parlamenti vendosi qi të thiret Kryetari i ministravet. Kjo âsht nji gjâ qi âsht pranue e bile Z. Kryeministri ka kërkue dy herë afat të cilën ja kemi pranue. Prandaj kërkoj të vijë kryetar’ i kabinetit dhe t’ na zhvillojë këtê çâshtje.

 

Marrë nga vëllimi : Mustafa Kruja   “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”

“Blloku”, Isuf Kalo: Raportet intime mes Enverit dhe Nexhmies

Isuf Kalo, mjeku personal i Enver Hoxhës ka publikuar librin e tij ku ka rrëfyer sekret e “Blloku”. Kalo ka sjell kujtimet e tij personale në një libër, ku rrëfen raportet me personazhet e kohës, nga diktatori Hoxha tek bashkëshortja e tij Nexhmija Hoxhën, Ramiz Alinë dhe shumë të tjerë që jetonin në zonën e Bllokut.

Pjesë nga LIBRI “Blloku”

Nexhmija, përtej pamjes së jashtme

Nuk ishte e lehtë ta njihje Nexhmijen në të gjitha dimensionet dhe veçoritë e saj origjinale, as së jashtmi dhe as së brendshmi, madje kjo e dyta njohja e mendimeve dhe ndjenjave të saj qe edhe më e vështirë. Edhe pse pata rastin të kisha kontakte si mjek me të, për më shumë se 15 vjet, nuk mund të pretendoj se e njoha dot atë në tërësi dhe hollësi. Aq më pak e patën njohur shqiptarët sa kohë ishte gjallë Enveri. Ata, me sytë të mbërthyera gjatë 40 viteve tek lideri i madh, pak vëmendje dhe interes treguan për të shoqen, si person. Për shumicën e tyre ajo ishte thjesht gruaja e Enverit. Dhe vetëm kaq.

Edhe ajo vetë rrinte disi e tërhequr, duke qëndruar kryesisht në zyrë e në shtëpi. Kishte zgjedhur vullnetarisht të rrinte në hije. Ajo as arriti, por as u përpoq që të fitonte zemrat e shqiptarëve. Ndoshta, sepse i mjaftonte simpatia dhe adhurimi që një numër i madh i njerëzve shprehnin për të shoqin. Por, kur së bashku me të vdiq edhe regjimi i tij, Nexhmijes iu desh që të dilte nga guaska, të bëhej e dukshme dhe aktive, duke u përpjekur t’i bënte njerëzit të besonin se gjithçka e Enverit ruhej e gjallë tek ajo. Mirëpo ishte e vonuar. Pa autoritetin, famën, zërin dhe karizmën e të shoqit ajo vetë nuk ishte as tërheqëse, as e besueshme dhe as bindëse për ta.

Përkundrazi, siç nuk e priste, ajo u bë për pjesën e pakënaqur të popullsisë “tabelë qitjeje”, pasi iu faturuan asaj gabimet dhe padrejtësitë e pushtetit që u përmbys. A e meritonte? A i takonte asaj të paguante, të gjithë ose pjesën kryesore të haraçit të të këqijave që bëri regjimi i kaluar? Në ç’masë, pa qenë personalisht anëtare e organeve të larta partiake e shtetërore, pati realisht gisht ajo në vendimet e marra prej tyre?

Askush tjetër përveç asaj vetë, nuk ka mundësi të dijë të vërtetën. Ajo mund të hamendësohet ose të vlerësohet bazuar në fakte, perceptime ose sipas intuitës së gjithsecilit.

Fajësitë e saj janë bazuar kryesisht mbi faktin e statusit si gruaja e Enverit dhe sidomos në vitet e fundit të jetës, kur ai ishte më i sëmurë.

Me hamendësimin se ajo, edhe pa qenë anëtare e forumeve e strukturave të larta vendimmarrëse, mund të ketë influencuar ose edhe drejtuar vetë në emër të tij. Askush, as unë, nuk e vë dorën në zjarr se kjo absolutisht apo në një masë të caktuar nuk ka ndodhur.

Nexhmija vetë në deklaratat publike dhe në librat me kujtime që ka botuar, i ka mohuar të tilla akuza apo hamendësime, ndërsa fakte ose konfirmime të dokumentuara për to nuk di të jenë dhënë.

Ndërkohë, ish anëtarë të Byrosë Politike, Sekretarë të Parë të partisë në rrethe, ministrat të qeverisë, kryetarë dhe shefa të sigurimit, hetuesisë dhe prokurorisë, fajtorë të sigurtë dhe të njohur me emër dhe mbiemër, si iniciatorë dhe firmëtarë dokumentesh dhe aktesh mizore, çuditërisht përmenden nga media, madje dhe nga vetë viktimat, përciptazi ose shkarazi.

Ata, meqenëse i shoqi nuk është më gjallë, e derdhin thuajse të gjithë urrejtjen, mllefin dhe fajet për bëmat e mbrapshta të atij regjimi kryesisht e personalisht tek ajo.

Historia di me fakte, me emër dhe mbiemër, se cili person i udhëheqjes së lartë urdhëroi me kokën e tij pushkatimin mizor të 67 ballistëve që u zunë rob në Lushnjë.

Cili propozoi pushkatimin e 22 intelektualëve të pafajshëm në Tiranë për bombën në Ambasadën Ruse, cili propozoi dhe nguli këmbë për kolektivizimin e detyruar të bujqësisë dhe heqjen e tre dynymshit fshatarëve, cili propozoi tufëzimin e bagëtive, cili ndërmori hapin e parë për ndalimin e fesë dhe prishjen e kishave dhe xhamive, cili urdhëroi ndërtimin e 173 mijë bunkerëve, anembanë vendit, cili si kryetar i Komisionit të Internimeve sygjyrnosi me firmën e tij 12500 qytetarë shqiptarë dhe shumë akte të tjera si këto të dënueshme? Disa nga këta autorë thuajse janë ricikluar dhe pasardhësit e tyre vazhdojnë të emërohen në poste qeveritare. Ramizi, i cili pati firmosur ato vendime dhe që i indoktrinoi, me propagandën që drejtoi, mendjet dhe shpirtin e disa brezave radhazi me utopinë e “njeriut të ri”, ishte njëri prej tyre.

Ai, fillimisht, nuk u përmend si fajtor për ato, përkundrazi u promovua për disa kohë në postin më të lartë dhe mandej, u konsiderua si shpëtimtar dhe misionar i frymës së re. Ndërkohë, në sa apo në cilën nga ato keqbërje ka qenë personalisht Nexhmija iniciatore, propozuese ose autore e faktuar? Pa dyshim, ajo i ka pas ditur në mos të gjitha, shumë nga ato padrejtësi që ndodhnin, por nuk u kundërvu direkt, as indirekt për të ndikuar t’i parandalonte a zbuste ato tek i shoqi. Përkundrazi, i pat miratuar me zell prej militanteje, mjafton që ato i pat miratuar më parë Byroja Politike dhe Enveri. Ajo, pa dyshim, ka personalisht pjesën e saj të përgjegjësisë, por jo të gjithë përgjegjësinë, as pjesën më të madhe të saj. Ramizi e dinte mirë këtë, por nuk e tha. Përkundrazi, thuhej se fshehtas pati dhe ai vetë gisht në to, fajësime dhe demonizime që u gjeneruan dhe u përhapën për Nexhmijen.

Në periudhën e ndërrimit të sistemit, mbase atij iu desh që në opinionin e njerëzve të bëhej Nexhmija kurban në vend të tij, si kryefajtore, pavarësisht se ishte ai që pati pozitë më të lartë dhe përgjegjësi më të mëdha sesa ajo në hierarkinë vendimmarrëse të regjimit që u shemb.

U desh që fajet e regjimit dhe ish-titullarëve të tij të shkriheshin si skrap në zjarrin e urrejtjes popullore për të krijuar me to “kuçedrën Nexhmije”, si simboli i të gjitha të këqijave të diktaturës dhe fajtorja kryesore, në mos e vetme e saj.

Në mungesë të Enverit, përqendrimi dhe personalizimi i gabimeve dhe fajeve të regjimit komunist tek e veja e tij, sikur ajo qenkej njësoj përgjegjëse sa ai, apo dhe më shumë se sa ai, ndoshta u desh për t’i ruajtur dhe shpëtuar përkohësisht imazhin e Ramizit, si “e keqe e nevojshme dhe shpresuese”, në atë periudhë ndryshimesh vështira.

Në fakt, Enveri nuk e pat njësuar ndonjëherë të shoqen me veten. Ai ishte autoritar. Hijerëndë. Por nuk ishte “burrë grash” as “lolo” lehtësisht i influencueshëm. Ai imponohej me një shikim. Me një mbledhje të vetullave dhe rrudhave në ballë. Ndonjëherë me buzëqeshje, pa fjalë. Me heshtje. “Burrëria tradicionale” e meshkujve shqiptarë me nuanca mazohizmi ishin të shfaqura krenarisht dukshëm në mënyrën e tij të sjelljes.

Gjatë viteve në kontakt direkt, as unë, si mjek personal i tij, nuk u çlirova dot nga ndjenja e ndrojtjes dhe e përgjegjësisë që më pushtonte në çdo takim me të. Ai rrezatonte autoritet, prandaj as guxova të ndaja me iniciativën time me të ndonjë mendim, shqetësim apo ta ndikoja në ndonjë drejtim, jashtë kuadrit të detyrës sime profesionale.

Nexhmija dhe të gjithë vartësit e tjerë e kishin pranuar me përulje supremacinë e tij të plotfuqishme. Mendimet, sugjerimet, dëshirat dhe vendimet e Enverit ishin për të gjithë ata, përfshi edhe Nexhmijen ose, më saktë, në radhë të parë për Nexhmijen, tabu. Diferenca e moshës prej 13 vjetësh me Enverin, brishtësia fizike e karakteriale e saj pati vulosur që në ditën e parë të njohjes së tyre kompleksin e adhurimit dhe nënshtrimit të përhershëm të saj ndaj burrërisë, vendosmërisë dhe guximit të Enverit, si vendimmarrës i pakundërshtueshëm, që imponohej me bindjen se kishte gjithmonë të drejtë. Kjo nuk përjashton të ketë pasur sukses edhe ajo, si të gjitha gratë, në rolin e “zogut të natës”, për t’i vënë në vesh dhe marrë prej të shoqit miratime për nevoja, çështje apo plane të jetës familjare apo personale të saj. Por me shumë pak mundësi për çështje shtetërore.

Sipas Zhaklinë Kenedit, “gratë e pushtetshme” ndahen në dy kategori: ato “me pushtet në shtet” dhe ato “me pushtet në shtrat”.
Nexhmije Hoxha Dhe Enver Hoxha

Gjykuar nga aparenca e jashtme, nga gjestet, mënyra e shikimit, timbri i zërit apo “gjuha e trupit”, Nexhmija nuk ishte lozonjare apo tip gruaje shtrati. Përkundrazi, dukej e “akullt”, serioze si e superblinduar me parime. Në marrëdhëniet me të shoqin, jo nazet e feminiteti, por devotshmëria ishte pika e fortë e saj. Madje, në vitet pasi Enveri pati pësuar infarktin në zemër, ata flinin të ndarë. Nexhmija ia pat “dhuruar” Enverit edhe pjesën e saj të shtratit bashkëshortor. Ai flinte i vetëm në shtratin e gjerë dopio. Vendin e saj herë pas here mund ta zinte një “femër” tjetër. Ajo ishte Guxi. Kështu quhej macja më “mendjemadhe” që kam parë e njohur unë. Ajo ishte e bukur, i shkëlqenin qimet nga shëndeti dhe gjezdiste krenare nëpër dhomat e korridoret e brendshme, me hap të sigurt dhe shpërfillëse ndaj njerëzve të shtëpisë. Në takt, ishte macja e dashur e Pranverës, por Guxit, sa herë që i mbushej koka, shkonte pa pyetur askënd te dhoma e Enverit. Nëse e gjente të mbyllur portën e dhomës së gjumit të tij, Guxi ishte e zonja që ta hapte vetë atë. Ajo kërcente deri te doreza dhe e hapte pa problem. Pasi hynte, shtrihej në të njëjtin shtrat me Enverin dhe përgjumej plot kënaqësi pranë tij. Ai nuk bezdisej, e pranonte dhe e përkëdhelte. Dukej që mes tyre ishin miq. Ndërkohë Nexhmija “vigjilonte” gjatë natës gjysmë e zgjuar, përballë, mbi një divan të ngushtë brenda së njëjtës dhomë, për ta ndihmuar të shoqin në rast të ndonjë shqetësimi eventual.

Marrëdhëniet e shtratit, nëse patën të tilla në ato vite, ata i ruajtën rreptësishtë si intime dhe private. As njëri as tjetri nuk më pyetën, as morën këshilla mjekësore, në konfidencialitet, për rreziqet dhe implikimet e mundshme në marrëdhëniet seksuale në kuadrin e infarktit të zemrës dhe sëmundjes së diabetit, prej së cilës Enveri vuante prej vitesh. Por në literaturën mjekësore, si edhe nga përvoja jetësore njiheshin raste atakesh, aksidentesh, deri edhe vdekje të befta te meshkujt me sëmundje të tilla të zemrës, gjatë marrëdhënieve në shtrat.

Kështu i pat ndodhur në vitet e monarkisë një ish-ministri shqiptar, i cili vdiq papritur gjatë aktit në një prej hoteleve të Romës. E njëjta tragjedi ndodhi jashtë Tiranës në vitet kur kujdesesha për Enverin, me vëllain e njërit prej ish-udhëheqësve të shquar të Byrosë Politike. Edhe ai, fatkeqi, vuante njësoj nga zemra e diabeti dhe ishte më i ri se vëllai i tij dhe Enveri. Vdekja e tij e beftë, e njëjtë me atë të dikurshme të ish-ministrit monarkist, pat ndodhur jashtë shtëpisë, në rrethana që, për arsye të kuptueshme, nuk u bë publike.

Ngjarja e tronditi së tepërmi emocionalisht vëllain e tij byroist, por ndoshta dhe e vuri në vështirësi e para dilemës nëse duhet ta nderonte, duke marrë pjesë në ceremoninë e tij mortore, apo ta dënonte, duke mos shkuar në të. Besoj që për këtë ai e kish pyetur dhe kish marrë miratimin e Enverit, sepse ky më thirri dhe më dha porosi të shkoja të qëndroja edhe unë pranë kolegut dhe mikut të tij, ndonëse atë e shoqëronin edhe mjekë të Klinikës Speciale. Kjo mbase si qokë a shenjë solidariteti me të.

Kur shkova nuk e dija pse dhe si kishte ndodhur ngjarja. Enveri nuk më tha asgjë. Mbase priti që pasi të kthehesha kjo temë të hapej nga unë. Ndërkohë unë prisja ta hapte ai, por më kot. Sidoqoftë, atëherë, për herë të parë, u kujtova që këtë faktor rreziku eventual ne si ekip mjekësor e patëm harruar dhe neglizhuar.

Po sikur t’i ndodhte diçka e ngjashme edhe Enverit? Ne mjekët do të gjendeshim krejt të zbuluar dhe do të viheshim me siguri para përgjegjësisë. Asnjë këshillë, shqetësim, as diskutim, as shënim për një eventualitet të tillë nuk ishte përmendur në kontaktet tona me të, as shënuar si dokument në kartelën e tij klinike dhe as në protokollet e ekipit tonë mjekësor. E kishim quajtur thjesht çështje intime, private të tij. E keqja ishte se, për arsye që kuptohen, ky problem nuk mund të diskutohej me Nexhmijen. As me djemtë. Kush do të guxonte t’ia cenonte Enverit privatësinë pa kërkesën dhe lejen e atij vetë? Atëherë me droje dhe në konfidencialitet e diskutova me mësuesin tim Fejzi Hoxha. Ai ishte gjirokastrite, kishte thuajse të njëjtën moshë të Enverit dhe kish qenë shokë shkolle dhe fëmijërie me të. “Mos e nga këtë temë, më tha ai. – Asnjë mashkull, as ai nuk do që të flasë e tregojë për këto gjëra. Dhe as nuk do i ndjekë këshillat që do japim ne. Përkundrazi, i zemëruar që futemi pa na ftuar në gjërat intime të tij, mund të na sikterisë. Lëre si të jetë shkruar, më këshilloi ai. Dhe kështu u bë. Nga droja, por edhe në respekt të privatësisë dhe intimitetit të tyre, nuk e zura asnjëherë në gojë këtë subjekt delikat, edhe pse me interes mjekësor. Iu luta qiellit dhe Zotit që e keqja të mos ndodhte dhe ndoshta ai më dëgjoi. Kështu, mbeti enigmë edhe masa e supozuar e “pushtetit” të Nexhmijes ndaj të shoqit me ndikimin e saj në shtrat. Sa për “pushtetin në shtet”, në rastin e Nexhmijes do të tingëllonte si teprim. Ajo, nën hijen e të shoqit, nuk krijoi dot “klorofilin”e një personaliteti individual. Nuk pati dhe as tentoi të krijonte ndonjë rrymë, “Nexhmijëzimi” me platformë origjinale ideore, pushtetare e politike si alternative e dizajnuar dhe e imponuar personalisht prej saj. Ajo ishte dhe mbeti deri në fund “krijesë” e Enverit, shtojcë e tij.

Mbeti zbatuese shembullore e përkushtuar ndaj tij si udhëheqës dhe bashkëshort.

Ndryshe nga Çhian Çhini, Elena e Çausheskut, Jovanka e Titos dhe Mira Markoviçi e Sllobodan Millosheviçit, ajo nuk tregoi ambicie për të bashkëqeverisur në poste të larta zyrtare përkrah të shoqit. Ishte e interesuar të informohej për gjithçka ndodhte politikisht, por jo me synim që të udhëhiqte ajo vetë. Ndoshta, sepse ishte e ndërgjegjshme që i mungonin vetitë e duhura për të udhëhequr, i mungonin pasioni, karizma, guximi dhe energjia për të krijuar pasardhës dhe dishepuj personalë të saj.

Nexhmija ndryshonte në qëndrim dhe karakter prej Nadjezhda Allilujevës, gruas së dytë të Stalinit, e cila ishte shprehur edhe kritike ndaj metodave dhe sjelljeve brutale të të shoqit. Kjo ishte 20 vite me e re se Stalini.

Bazhanov, njëri prej sekretarëve të Stalinit, njohës nga afër i marrëdhënieve të Nadjas me të shoqin, ka dëshmuar në kujtimet e tij një episod domethënës për ndjeshmërinë e saj ndaj vështirësive të jetesës së popullatës. “Ishte viti 1932, tregon ai, kur Stalini iu përvesh kolektivizimit me dhunë në bujqësi. Kuadrot e bazës e kishin parë me sytë e tyre rrënimin e fshatarësisë. Por kur dëgjonin që ajo ishte gruaja e Stalinit ata bëheshin memecë. Mirëpo dalëngadalë kuptuan dhe u bindën se ajo ishte e dhembshur, e mrekullueshme, që mund t’i besoje. Gjuhët u zgjidhën dhe nisën të rrëfenin çfarë po ndodhte. Nadja e rrëqethur u tmerrua. Ajo nuk mund të rrinte pa ia treguar të shoqit gjithçka kishte dëgjuar. Mirëpo Stalini iu hakërrye asaj duke i thënë se ‘informacioni që i dha nuk ishte gjë tjetër veçse pjesë e propagandës kundërrevolurionare’”.

Pak kohë më vonë, pas një debati dhe ofeze që i bëri asaj Stalini në publik, Nadjezhda u mbyll në dhomën e saj dhe u vetëvra me revolver. Ishte vajzë e re 18-vjeçare kur u martua me Stalinin dhe vetëm 30 vjeçe kur e zhgënjyer u nda prej tij dhe nga jeta. Shkaku i vdekjes së papritur të saj u mbajt aso kohe i fshehur nga publiku dhe u manipulua sikur kishte ndodhur pas një “apendiciti akut”. Stalini, në vend të keqardhjes dhe pendesës, përkundrazi, u ndie i tradhtuar prej saj dhe u zemërua me të. Ai e quajti aktin e së shoqes armiqësor dhe të qëllimshëm kundër tij. Trupi i saj nuk u dogj në kremator dhe hiri nuk u vendos siç e kërkonte protokolli në muret e Kremlinit. Me urdhër të Stalinit u çua në varrezën dikur aristokrate Novodevichi të Moskës.

Në njërën nga vizitat e mia të punës në Moskë në vitet që isha konsulent i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Diabetin, pata rastin ta shoh me emocion varrin e saj, pranë atij të Hrushovit, i shndërruar tashmë në objekt kurioziteti me interes turistik.

E vërteta është se debatet dhe “karshillëku” i ruses së re, emocionalisht delikate, me të shoqin e plotfuqishëm buronin edhe prej sjelljes së vrazhdë të Stalinit ndaj saj, si dhe ndaj prindërve dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes Allilujeva, por edhe ndaj fëmijëve të tij. Kurse Enveri, përkundrazi, me aq sa e njoha unë, ishte i ngrohtë e korrekt në sjellje ndaj Nexhmijes, por edhe ndaj nënës, vëllait dhe mbesave të saj.

Ai njihet si Stalinisti i fundit në stilin e qeverisjes dhe ndoshta dhe në ideologji, por nuk ishte kurrsesi Stalin në marrëdhëniet në shtëpi brenda familjes dhe me fëmijët, nipat e mbesat e tij. Vjehrra e Enverit, Naxhija, ishte dibrane e moshuar, mjaft inteligjente. Ajo banonte dhe jetonte së fundmi në të njëjtën shtëpi me familjarët e tjerë të tij. Në orët e lira, në respekt të Nexhmijes, Enveri e vizitonte, bisedonte dhe pinte kafen herë pas here me nënën e saj.

Dhe kur i vëllai i Nexhmijes, Fehmiu, u shtrua për një problem shëndetësor serioz në Spitalin Ushtarak, Enveri, si asnjëherë tjetër, i vajti për ta takuar dhe vizituar. Natyrisht, bashkë me Nexhmijen.

I shoqërova edhe unë. Atje i priti drejtori i spitalit dhe disa nga mjekët që e kuronin të sëmurin. Fehmiu ishte shtruar në një dhomë më vete si më komode, posaçërisht të adaptuar për të. Me aq sa di në vitet që isha mjek i tij, kjo ishte vizita e parë dhe e vetmja që bëri në ato vite Enveri në një ambient spitalor të vendit. Kurioz pyeta Sulon në konfidencë nëse ishte parashikuar që ai, me këtë rast të mund të shihte edhe kushtet dhe ambientet e tjera të spitalit, ose të takonte të sëmurë të panjohur të shtruar atje! “Jo ore çne, — tha Sulua menjëherë, — apo të na marrë ndonjë infeksion?”

Që kur ishte gjallë Enveri, Nexhmija pat siguruar me përparësi libra biografikë për personalitete të famshme, të cilat, siç kuptohej, do i shërbenin më pas për të shkruar për Enverin. Në këtë aspekt ajo i ngjante Nadjezhda Krupskajës, gruas së Leninit, sepse edhe ajo ishte marrë kryesisht me dokumentimin e jetës dhe veprimtarisë së të shoqit. Në raftet e bibliotekës së Nexhmijes kishte një libër biografik të Krupskajës për Leninin.

Krupskaja, siç pati treguar ajo vetë, i lexonte Leninit të sëmurë teksa ai e dëgjonte, i shtrirë në shtrat, duke vështruar si romantik, lashtë dritares diellin që perëndonte”. Edhe Nexhmija, kur Enveri së fundmi pati probleme me shikimin, ndodhte që i lexonte pranë shtratit, ose kur ai ishte në studio, korrespondencën apo libra që asaj i pëlqenin. Në të tilla raste Nexhmija bëhej si mamaja apo “dadoja e një djali të vogël kurioz”, i cili dëgjonte me vëmendje deri në fund përrallën të lexuar me zërin e saj të hollë./Marrë nga libri “Blloku”

Isuf Kalo rrëfen për bijtë e prapë të “Bllokut”: Djali i udhëheqësit të lartë histori rozë me gruan e artistit të njohur

Isuf Kalo, mjeku personal i Enver Hoxhës, në librin “Blloku”, botim i “UET PRESS”, hedh dritë në mjaft nga misteret e familjeve të liderëve komunistë. Njëherazi, me raportet e veçanta prindër-fëmijë ai zbulon episode të panjohura nga sjelljet e këtyre të fundit jashtë mureve të hekurta të rezidencave qeveritare. Pavarësisht privilegjeve të përftuara nga pozicioni i prindërve në hierarkinë politike, jo pak syresh, siç tregon Kalo, shfaqnin herë pas here pakënaqësinë e tyre për mosndryshimin e gjendjes dhe kufizimin e të drejtave njerëzore. Sakaq, mjeku personal i diktatorit ka ruajtur në kujtesë edhe mjaft nga flirtet dhe dashuritë rozë të fëmijëve të Bllokut. Njëra ndër to, që i ka bërë më shumë përshtypje, ka qenë lidhja intime e djalit të njërit prej udhëheqësve të lartë me gruan e një artisti të njohur, asokohe me dy fëmijë…

 

FËMIJËT E PRAPË TË BLLOKUT Nuk dihet se si, as kur, por pëshpëshe lidhur me pakënaqësitë për mosndryshimin e gjendjes u shfaqën edhe brenda familjeve më elitare të Bllokut, sidomos në debatet mes brezave, ku të rinjtë ishin ata që shtronin nevojën e ndryshimit para prindërve.

“Sepse meritat, jo doemos pjellin merita. Më së shumti pjellin favore”. Siç shkruan një poete e jona, “jeta dembeloset në paqe”. Në Bllok dembelizmi vinte prej rehatisë, hiperproteksionit, privilegjeve, mërzisë, por edhe nga pakënaqësitë. “Fëmijët e idealistëve nuk lindin domosdo idealistë. “Në gjuhën e asaj kohe, ata përkundrazi, mund të quheshin të “borgjezuar”. Nga ana tjetër (sado e çuditshme që tingëllon, por është e vërtetë), disa nga të rinjtë e Bllokut, edhe pse lindnin dhe rriteshin aty në rehati, ndiheshin të pakënaqur. Mbase sepse besonin se “vajzë a djalë i mirë është ai që revoltohet”. Ata i mërziste e i revoltonte presioni dhe kontrolli i rreptë etik i sjelljes, i cili i pengonte të krijonin identitetin individual, personalitetin e tyre dhe të shpreheshin e të kontestonin hapur.

Ata i irritonte bartja mbi shpinë gjatë jetës së tyre personale i prestigjit, imazhit, emrit dhe i meritave të baballarëve, pjesë e nomenklaturës së lartë, të cilët “nuk duhej t’i turpëronin”, nuk duhej t’i “njollosnin” me sjelljet dhe mendimet e tyre jokonformiste në sytë e opinionit, publikut dhe sidomos të udhëheqjes së lartë.

Erik Segali, në librin e tij “Akte besimi”, përmend një fenomen mjaft të ngjashëm i quajtur SFP (Sindroma e Fëmijëve të Predikuesve), i shkaktuar nga presioni i pazakontë moral që ushtrohej mbi fëmijët e klerikëve të lartë për të zbatuar parime, zakone, sjellje dhe dogma të vjetruara të predikuara prej tyre, çka i çoi dy personazhet kryesore të librit, fëmijë të një rabini të shquar ultrakonservator, që si revoltë ndaj predikimeve të të atit të tyre fanatik, të krijonin në jetën personale bindje dhe mënyrë jetese krejt të ndryshme nga ato të predikuara prej tij dhe kjo pa i humbur ndjenjat e dashurisë dhe respektin e natyrës familjare njerëzore ndaj të atit.

Pavarësisht nga favoret, ashtu si Deborah dhe Danieli, dy personazhet e Segalit, disa të rinj, bijë dhe bija të titullarëve të Bllokut, të informuar e dyshues ndaj predikimeve që dëgjonin, u rebeluan brenda vetes ndaj realitetit që përjetonin. Të gjitha shkëndijat që ndezin më pas zjarre ndryshimesh kështu lindin. Shkreptijnë së pari brenda ndërgjegjes njerëzore, por prej shkëndijëzave ëndërrimtare nuk shpërthejnë dot revolucione. Revolucioni është zjarr a uragan i madh. Ëndërrimtarët vetëm e ëndërrojnë ndryshimin. Kaq. Edhe djemtë e Bllokut nuk kishin plane, as platforma veprimi për të ndryshuar vendin e aq më pak botën.

Ishin kundër, por jo kundërshtarë veprimtarë. Ata ishin në gjendje të turbullt shqetësimi për rrugën që po ndiqej e në ç’drejtim po shkonte vendi. Ndërkohë ishin të armatosur me njohuri dhe merrnin mesazhet e ndryshimeve, mendësitë dhe vizionet e reja bashkëkohore nga bota perëndimore. Sepse mosdija mund të mos jetë shqetësuese, por kur di shumëçka, mund të ndiesh dhimbje e vuajtje.

Dhimbja dhe vuajtja për ta ishte mungesa e lirisë. Jo rastësisht, kontestimet e heshtura ndaj sistemit lindën në Bllok, kryesisht te brezi i fëmijëve të lindur e të rritur aty në vitet e pasluftës, të cilët në vitet 1960, kur Shqipëria u shkëput nga tutela e kampit socialist (por jo nga ideologjia komuniste) ishin ose sapo e kishin kaluar moshën e adoleshencës apo të rinisë së hershme.

Në atë periudhë, edhe vetë udhëheqja e lartë sapo kishte filluar t’i hidhte sytë ose edhe të krijonte kontakte (ndonëse të ndrojtura) tregtare dhe ekonomike me vendet europiane perëndimore, sidomos me Francën dhe me Italinë. Kapitalizmi në to dukej më joshës dhe jo aq i padrejtë dhe mizor nga ç’ishte propaganduar. Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Vladimir dhe Bashkim Shehu, Ardian Klosi, Vera Bekteshi, Arben Theodhosi, Agim Myftiu e shoqja e tij, Lida Çarçani, Gramoz Pashko etj., ishin disa nga personazhet e njohura të Bllokut që përfliteshin si persona “që shprehnin kundërshti dhe pakënaqësi” për sistemin dhe qeverisjen tonë, si dhe për rrugën që po ndiqte vendi. Ata nuk donin të ishin thjesht bij apo bija të bindur të baballarëve apo të prindërve. Donin të ishin vetvetja, me stil jete dhe mendime ndryshe për zhvillimin e vendit, më të hapura dhe moderniste, të ndryshme nga ato që propagandoheshin zyrtarisht. Ata mundën të ndanin ideologjinë, botëkuptimin dhe pikëpamjet vetjake nga ndjenjat obliguese të respektit ndaj prindërve. Kështu, me ose pa vetëdije, përsërisnin një cikël të ri të fenomenit të njohur “bijtë kundër etërve”, duke imituar “tradhtinë” e bërë nga disa prej udhëheqësve komunistë banorë të Bllokut, dikur djem “plëngprishës” ndaj prindërve pasanikë, kur në moshën rinore përqafuan me entuziazëm idetë marksiste, jo në përputhje me ato të ish-etërve të tyre bejlerë, latifondistë apo borgjezë të paraçlirimit. Kjo që ndodhte ishte fenomen që kish ndodhur edhe gjetkë, në vende të tjera ish-komuniste të Europës. Në Bullgari, Ludmilla Zhivkova, e bija e Teodor Zhivkovit, udhëheqësit nr. 1 të vendit, ndryshe nga i ati, servil i Kremlinit, u vu në krye të Ministrisë së Kulturës dhe u bë iniciatore dhe protagoniste e fuqishme e reformave liberale në art, kulturë dhe në praktikën religjioze të vendit. Ose Viktor Çaushesku, djali i madh i diktatorit rumun, i cili iu dedikua shkencës dhe akademizmit dhe qe kritik i hapur ndaj metodave udhëheqëse të të atit, të cilit ia kishte parashikuar me saktësi edhe fundin tragjik.

“Edhe po të mos ishte pushkatuar, do të përfundonte i tërhequr zvarrë nëpër rrugët e Bukureshtit”, kish thënë ai për të. E motra e Fidel Kastros, Juanita Kastro, ishte gjithashtu kontestuese ndaj të vëllait për përqafimin e Marksit dhe instalimin e komunizmit, çka sipas saj “e shndërroi Kubën në një burg të madh të rrethuar me ujë”. Ajo u arratis në Meksikë, pastaj në SHBA dhe nuk u kthye më në atdhe.

Ideologjia komuniste, ose më saktë dialektika marksiste, e njihte këtë fenomen si ligji i “mohimit të mohimit”. Ai përfaqëson braktisjen apo mohimin e vazhdueshëm, si zinxhirin e pandërprerë të asaj që ekziston, me synimin e zëvendësimit me një tjetër më të re, më progresiste e më të suksesshme. Ndjenja e mendime të tilla kritike ndaj regjimit dhe aspirata liridashëse nuk ishin monopol vetëm i disa prej të rinjve të Bllokut.

Të tilla kishin edhe një numër të madh të rinjsh jashtë Bllokut, sidomos ata që kishin pasur mundësi të lexonin libra të ndaluar apo kishin pasur kontakte direkte apo të tërthorta me aspekte të jetës së vendeve perëndimore. Edhe në vendet me demokraci të vërtetë dhe efektive, kjo diskordancë e mospërputhje konceptuale e objektivave të brezave të ndryshëm, përfshirë edhe mes fëmijëve e prindërve, konsiderohet e natyrshme. Danezi Petër Marti i ka sintetizuar pozicionet brenda familjes me aforizmin: “Burri është populli, gruaja është qeveria, fëmijët janë opozita”. Pushtetit i interesonte si më vitale status quo-ja, mosdevijimi, pandryshueshmëria dhe besnikëria deri në fanatizëm ndaj ekzistueses.

Fillimisht fëmijët e Bllokut e shfaqnin “opozitën” në diskutimet me prindërit ofiqarë brenda familjes. Këta mundoheshin t’i sqaronin të rinjtë për “keqkuptimet apo keqinterpretimet nga papjekuria”. Kështu, debati mes tyre mbetej brenda shtëpisë. Më pas, disa nga prindërit pushtetarë, siç kanë dëshmuar Spartak Ngjela për të atin, Kiço Ngjela, ish-ministri i Tregtisë më afatgjatë dhe më i zoti profesionalisht, dhe Arben Theodhosi, për të atin Koço Theodhosi, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe intelektual i kalibrit të lartë, patën shfaqur qëndrime disi liberale, të avancuara për kohën. Koçoja nuk u zemërua me të birin kur i shkoi në një barakë, në kopshtin e vilës ku banonin brenda Bllokut dhe e gjeti duke pikturuar fshehurazi në stil modernist.

“Në një moment të vështirë, kur pedagogët më konstatuan në studio piktura të ndaluara, im atë u mjaftua të më këshillonte thjesht: ‘Bëj kujdes’”, tregon Arbeni në një intervistë. Po ashtu, edhe Fatos Lubonja për të dy prindërit, Todin e Lirinë, të shquar për vizione liberale, apo Vera Bekteshi për të atin Sadik Bekteshi, gjeneral me prestigj të lartë, ish-komunist i orëve të para në Shkodër, tregojnë se ata vetëm i këshillonin të ishin të kujdesshëm, të mos i diskutonin këto tema jashtë me të tjerët. Ndrojtja nga spiunimi dhe fryma e fshehtësisë përbënin tiparet më karakteristike që sundonin marrëdhëniet në mjediset brenda Bllokut.

Në krijimin e pakënaqësive për mënyrën se si ushtrohej pushteti nga organet e udhëheqjes më të lartë, fillimisht mund të kenë ndikuar pa vetëdije “gjuha e heshtur e trupit”, mimika, gjestet, apo me ndonjë batutë spontane edhe e vetë prindërve të tyre mbajtës të pushtetit në instanca dhe poste relativisht më të ulëta.

Disa prej tyre ishin të pakënaqur me pozitën që kishin, e cila shpesh nuk ishte proporcionale dhe nuk reflektonte kontributet, vjetërsinë dhe meritat e tyre, në krahasim me disa kuadro të rinj, pak ose aspak të njohur, pa ndonjë meritë, që befas promovoheshin në pozita më të larta dhe jo rrallë si drejtues të tyre. Politika e zhvillimit logjik vertikal të karrierës, shkallë-shkallë me rregullsi nga posti më i ulët deri tek ai më i larti bazuar në përvojën, meritat dhe vjetërsinë nuk zbatohej. Kjo sigurisht krijonte njëherësh habi e zhgënjim.

Mirëpo, këto ndjenja duheshin fshehur brenda vetes, përndryshe mund të dënoheshe për karrierizëm ose egoizëm. Ndryshe nga baballarët, bijtë e bijat e Bllokut, në shoqëri të ngushtë diskutonin më hapur me njëri-tjetrin. Shumica e tyre flisnin gjuhë të huaja perëndimore, ndiqnin programe televizive italiane, sepse brenda territorit të Bllokut, siç u tha më lart, falë një antene të posaçme mund të shikoheshin stacione të huaja televizive, në kuadrin e privilegjeve.

Ata kishin pasur mundësi të lexonin ose të njiheshin me libra të ndaluar te ne, si ato të filozofëve dhe ekonomistëve modernë perëndimorë si Alexis Tokvilli, për filozofinë dhe principet e demokracisë amerikane; modelin për lidershipin modern të Karl Popper; të ekonomistit reformator Adam Smith; të predikuesit të tregut të lirë, nobelistit Milton Friedman; të psikanalistit Zigmund Froid apo të ekzistencialistëve si Sartri e Kamy.

Ata, si rrallëkush nga të rinjtë e asaj kohe, dispononin magnetofona dhe kaseta me këngë të Bitëllsave, Elvis Preslit, Adriano Çelentanos, Elton Xhonit etj., ishin të njohur me pikturën moderniste të Pikasos, të Salvador Dali, Van Gog, të impresionistëve e kubistëve etj.. Për më tepër, ata kishin pasur rastin të udhëtonin ose të specializoheshin në metropolet e Europës. Kjo u kishte dhënë mundësinë të njihnin e shijonin edhe disa nga anët joshëse të realitetit në “vendet kapitaliste” dhe të shihnin me sytë e tyre mënyrën dhe standardet e atjeshme të jetesës e demokracisë, të cilat dukeshin kryekëput ndryshe nga sa predikonte propaganda e Partisë së Punës.

Ata nuk ishin armiq, në kuptimin klasik të armiqësisë apo tradhtisë ndaj vendit. Përkundrazi, synonin një jetë më të mirë, për brezin të cilit i përkitnin, por edhe për popullin. Luis Pauels, në librin “Letër e hapur për njerëzit e lumtur”, pat paralajmëruar që në vitin 1971 se “Shoqëritë që kanë dashur të ndryshojnë njeriun” kanë dështuar të gjitha; ato nuk kanë mundur të ndryshojnë asgjë, por vetëm kanë krijuar dhembje të mëdha dhe kanë përdorur në maksimum egërsi barbare.

Njeriu pa pronë e pa interesa vetjake, pa fe, i përkushtuar vetëm ndaj atdheut, ndaj socializmit e internacionalizmit proletar, rezultoi një utopi. Ky objektiv dështoi së pari brenda Bllokut të udhëheqësve të lartë. Asnjëri nga fëmijët e tyre nuk u bë njeri i tillë i ri, as vetë fëmijët e Enverit, as ne që ishim me detyrë pranë tij; as ata, as ne nuk ishim kundër Enverit person, por kundër ishin mënyrat, rrethanat dhe kërkesat e reja të jetës. Kundër tij ishte vetë koha në dimensionet e shumanshme të saj.

Disa nga të rinjtë e Bllokut, falë kontakteve më të shpeshta me jetën perëndimore, e njohën më thellë sistemin kapitalist lidhur me iniciativën e lirë, konkurrencën, rolin e sindikatave, nivelin e universiteteve, mënyrën e funksionimit dhe të financimit të shëndetësisë, të cilat baballarët e tyre i kritikonin ideologjikisht, ose i mohonin me slogane shablloniste dhe sipërfaqësore, pa i njohur thellësisht. Ata mendonin se në rrugëtimet e gjata “karroca ecën më shpejt po të ndërrohen kuajt”.

Shumë vite më pas, Moikom Zeqo, një nga iniciatorët e reformimit të ish-Partisë së Punës, në librin e tij “Universi së prapthi” do e përcillte në formë alegorike, të letrarizuar këtë mendësi, ku shkruan: “Pasi kalon shumë kohë dhe banorët binden se forca mbijetuese e prijësit të vjetër (që Moikomi në libër e quan Mrutn) duhet të zëvendësohet në mënyrë ripërtëritëse, me një më të ri.

Ata e nxjerrin atë nga “rrethi mbrojtës” dhe e copëtojnë duke marrë diçka nga fuqia misterioze e tij, ndërkohë që edhe “Ai i futur në ta shndërrohet në Ata”. Analisti ynë Mustafa Nano ka thënë diçka që vlen edhe për ata: “Është zotësi e madhe (dhe fat duhet thënë) të jesh syhapur, në një kohë që kjo përbënte krim të madh”. BLLOK-LAKMIA Ekzaltimi për Bllokun hasej kryesisht jashtë territorit të tij. Djemtë dhe vajzat e lindura e të rritura aty nga prindër të fuqishëm të elitës udhëheqëse përgjithësisht ishin “fëmijë të mbarë”, korrektë e modestë në shoqëri e mjaft prej tyre edhe të dalluar në mësime. Ata ishin rritur në atë mjedis së bashku, si shokë e shoqe fëmijërie, ose siç thuhet, si motra e vëllezër, por silleshin modestë, miqësorë e pa diskriminim me shokët e shoqet e shkollës, bashkëmoshatarë me ta. Vajzat adoleshente dhe të reja të Bllokut binin në sy si të ishin një “racë” tjetër, me tipare të ëmbla, lëkurë të freskët.

Ato ishin të mirushqyera, me veshje ndryshe, më të hijshme, më të bukura dhe mirësjellje të rafinuar, që reflektonte edukatë dhe kulturë. Teuta Çarçani, Teuta Nesho, Shpresa Ngjela, Mimoza Spahiu dhe Natasha Konica ishin pesë bukuroshe të Bllokut, që zakonisht shkonin dhe vinin nga shkolla e Vila e Enver Hoxhës në Bllok Fiqret Shehu, Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Nexhmije Hoxha dalë në vilën e tyre. 1980 shëtisnin bashkë të buzëqeshura, duke tërhequr vëmendjen dhe admirimin e kalimtarëve, sidomos të të rinjve beqarë. Djemtë dhe vajzat single të popullit e ëndërronin lidhjen martesore, bashkëshortore të Bllokut si “kulm i fatit”, që jo vetëm do u krijonte kushtet maksimale jetësore, por edhe rritje të statusit e të prestigjit shoqëror të atyre e të familjeve respektive.

E thënë ndryshe, Blloku perceptohej nga jashtë jo vetëm nga të rinjtë beqarë jashtë atij territori, por edhe nga prindërit dhe të afërmit e tyre si “parajsë apo një lloj oborri mbretëror”, ku atyre po të hynin aty si nuse apo dhëndurë, do t’u qeshte fati, do t’u thoshin “lamtumirë halleve” e do të shndërroheshin në “princesha e princër” elegantë, pjesëtarë “të aristokracisë së re”, të pasur, të fuqishëm e të famshëm, me emër të madh. Trendi i ri i martesave të të rinjve të Bllokut me partnerë “outsiders” (jashtë Bllokut), mbi baza kryesisht pragmatike, shtoi dhe nepotizmin si fenomen shoqëror. Edhe pse pas martesës rishtarët e ardhur në Bllok, duke jetuar aty e kuptonin që imazhi “princëror” dhe gama e favoreve që patën ëndërruar qenë të ekzagjeruara e disi utopike, përsëri statusi social i tyre gëzonte jo pak favore e privilegje.

Djemtë e martuar me vajzat e udhëheqësve ngriheshin më shpejt në karrierë dhe emëroheshin shefa, drejtorë, ambasadorë apo diplomatë jashtë shtetit, drejtues në organet ekzekutive apo ato partiake, kurse vajzat e martuara me djemtë e Bllokut, pasi lindnin një a dy fëmijë dhe merrnin frenat e familjes së tyre në dorë, shndërroheshin në “Dama influenciale, autoritare”, të punësuara në poste të rehatshme të institucioneve dhe të administratës. Ndonjëra nga “Hirushet” e martuara në Bllok shndërrohej madje në “princeshë” dhe nuk ngjante më me të përvuajturën e përrallës. Ato bëheshin lakmitare, ambicioze e pretencioze për më shumë favore e privilegje dhe e humbnin thjeshtësinë e përunjësinë e tyre të dikurshme.

Ato kalonin orë të tëra të ditës e mbrëmjes të ulura këmbë mbi këmbë në kafenenë luksoze të hotel “Dajtit”, e rezervuar për të huajt dhe e ndaluar për qytetarët e thjeshtë. Brenda pak kohe jetese në Bllok, “Hirushet” ndryshonin rrënjësisht modën, visheshin firmato, modernizonin paraqitjen e jashtme, krehjen, mobilimin, aksesorët muzikorë, tonin e zërit, përdredhjet dhe gjestet, “gjuhën” e trupit, stilin e jetës dhe gamën e kërkesave e të favoreve, madje jo vetëm për vete, por edhe për anëtarët e familjeve të tyre vajzërore. Në një atmosferë të tillë hedoniste nuk mungonin flirtet dhe “historitë rozë” të fshehta, ndonëse jo aq skandaloze si ato të tipit Ana Karenina, Madamë Bovari apo Ledi Chaterli.

Ato nuk shpëtonin pa u pikasur nga rrjeti i informatorëve të Sigurimit, por mbuloheshin me kujdes në mbrojtje të privatësisë familjare të udhëheqjes së lartë dhe realisht nuk krijuan megaskandale. Më së shumti, ishin flirte, lodra dashurie rastësore nga ato që plotësonin buqetën e kënaqësive dhe privilegjeve që u pat dhuruar fati me aroma dhe ëmbëlsi suplementare të jetës. Nuk ishin dashuri pasionante nga ato që krijojnë zhurmë, skandal, sakrifica dhe fund tragjik deri vetëflijim. Sepse, pushteti i madh është toksik dhe rrallë lë vend për ndjenjat sublime vetëmohuese.

Nuk pati ndër ta asnjë të vendosur për të sakrifikuar pozitën dhe privilegjet për hir të dashurisë së vërtetë, siç e la vullnetarisht fronin mbretëror të Anglisë, Eduarti VIII. Një histori pasionante rozë, por disi naive, që më ka mbetur në mendje dhe që nuk e di pse më pat prekur, ishte ajo e njërit prej djelmoshave të mirë të rinj beqarë të Bllokut, bir i njërit prej udhëheqësve të lartë, me gruan sharmante, nënë e dy fëmijëve të një artisti të njohur, të cilët nuk dihet sesi u dashuruan “marrëzisht”.

Ndodhi t’i shihja edhe unë njëherë rastësisht, gjatë një shëtitjeje në orët e para mëngjesore buzë detit në plazhin e Durrësit, jashtë territorit të Bllokut, teksa ishin të ulur të dy në bisht pranë njëri-tjetrit, si për t’u fshehur dhe rrëmonin heshturazi në rërën e lagur sikur shpresonin të gjenin aty çelësin a zgjidhjen e rrugëdaljes së mistershme për ndjenjën e tyre magjepsëse, rreptësishtë të ndaluar.

M’u dukën si fëmijët, që bënin “kështjella” me rërën e lagur me forma e arkitekturë të çuditshme, të cilat dallga nervoze ua gëlltiste me arrogancë e shpërfillje, duke e marrë me vete në thellësitë e detit, kështjellën prej rëre së bashku me ëndrrën e tyre marroke. Ata të dy bënë sikur nuk më panë. Ashtu bëra dhe unë. Megjithatë, ishte prekëse, thuajse mallëngjyese hutimi dhe pamja e trullosur e tyre, në kërkim të së pamundurës së mallkuar. Ajo histori u krijoi kokëdhembje dhe pagjumësi prindërve të djaloshit të mirë zemërdëlirë, të cilët plot stres u përpoqën ta ruanin të fshehtë brenda familjes problemin dhe situatën që përjetonin.

Gjithçka në atë “love story” romantik u zgjidh forcërisht në mënyrë jo proporcionale, “allashqiptarçe”. Faji iu ngarkua i tëri gruas “magjistare”, të cilën e shpërngulën, madje e degdisën dhunshëm me gjithë familjen e saj diku jashtë Tiranës. Kurse djaloshi i brishtë ende adoleshent, për fat të mirë, nuk u vetëvra si “Vertheri i ri” i Gëtes. Ai me kohë u rikthye dhe u përshtat me rregullat e zakonta tradicionale të disiplinës familjare.

BISEDIMET E KSHILLIT KOMBTAR LEGJISLATURA E PARË – Mbledhja e XXXXIX – Nga MUSTAFA KRUJA

 

Mbledhja e XXXXIX. E shtunë, me 17 shtatuer 1921, ora 3 e 15 mbas dreke

 

  1. M. Kruja: Mbasi çâshtja u shoshit mjaft, s’due me folë gjatë. Shqipníja e fitoi lirinë politike, u ba shtet më vedi e shqiptari me nji gjysmëshekulli mâ tepër me mund e me djersë të vet, e i ndihmuem prej rasavet politike, mund të quhet sot i lirë. E dini se lirija politike, nuk mund të ngjasë e nuk mund të qëndrojë po qe se ay popull, nuk përmbledh në vedvedi elementat qi janë bazat e kësaj lirije. Këta elementa janë naltësimi shpirtnuer, ekonomik e moral. Nji popull duhet të përpiqet vetë me inisiativa private qi t’arrinjë n’atë shkallë, n’atë ekonomike e morale e nji popullit shpirtnuer. Detyra e Qeverisë, në këtë fushatë âsht me i ndihmue për sa t’i vijë për dore institucioneve private qi ka për qëllim naltësimin shpirtnuer, moral e ekonomik të nji populli. Inisiativat duhet të vijnë prej popullit, se ndër vênde mâ të qytetnueme të botës, janë shoqninat qi përkujdesen për naltësimin shpirtnuer e Qeverija nuk përzîhet aspak në ksi çâshtje. Si kanë me j’u sigurue popullit këto mjete q’i lypsen për me u naltësue ? Tue veprue gjithsecili në kokë të vet vërtet nuk mund të bâhet gjâ, por tue i bashkue forcat energjike për bashkë-veprim. Qysh se Shqipníja âsht bâ shtet më vetëhe, janë formue pak a shumë shoqnína me qëllime të ndryshme për me i shërbye qëllimit të naltpërmêndun. Këto shoqní janë muzikale, teatrale etj. të cilat, tue mos pasë marrëveshtje ndërmjet të shoqi-shoqt, vepra e tyne mbet e kufizueme. Këto shoqni sot janë bashkue nënë emnin e Federatës së madhe “Atdheu” e kanë bashkue forcat e veta me veprue me nji program e me nji mêndim. Âsht e ditun se gjallníja e shoqnive, duhet të vijë prej ndihmavet të popullit e jo të Qeverisë, por me nji popull si ky joni i cili nuk kupton halà mirsinat e këtyne shoqninave, po nuk u ba udhëheqëse Qeveríja, âsht shum e vështirë, d.m.th. në qoftë se pa ndihmën e Qeverisë, mund të bâhet nji punë për dhetë ditë, me ndihmën e saj, mund të kryhet për pesë. Prandaj Federata “Atdheu” ju drejtue Shtetit e n’emën të Shtetit K. Kombtar, kështu qi ky të ndërmjetësojë qi ndihma e kërkueme të mos i mohohet. Shka lyp kjo shoqni ?

Nji ndihmë të hollash sa me fillue punën. Mandêj s’ka me pasë mâ nevojë për ndihmë të Qeverísë pse Shqiptari nep të holla për me i ndihmue naltësimit të vet, por deri sot âsht i pa besshëm e se kur të shofë se po bâhet diçka do të ndihmojë e nuk do të kursejë kurrgjâ ; për këtë arësye “Federata Atdheu” për me mujtë me nisë veprimin e vet, po kërkon nji ndihmë prej Qeverísë. Besoj, se mbas shumë shpenzimeve qi ka bâ Shteti Shqiptar, mbas shumë shpenzimeve qi në vedvedi janë të kota, pse janë shkaktue për shkaqe qi rrjedhin nga padija e popullit Shqiptar, të cilën padije “Federata Atdheu” po don me e largue. Pas nispetit të shpenzimeve të kota qi ka bâ Shteti i jonë, kjo shumë nuk âsht kurrgjâ. 1) 50 mijë franga besoj se nuk ka shqiptar qi t’i shohë të shuma, e këtê po e marr vesht mbas fjalëvet qi po flasin shokët e mij. 2) Kërkesa e dytë e “Federatës Atdheu”, âsht qi Qeveríja t’i napë lejën me bâ nji llotari. Lejën me  hap nji llotari e ka prej ligjit, vetëm Federata kërkon t’a monopolizojë për vetëhen e saj. 3) Pika e tretë âsht përdorimi i nji kartës të monopolizueme prej Federatës Atdheu. Me gjithë shpjegimet qi dha Z. L. Gurakuqi, due t’a shpjegoj edhe vetë nji çikë mâ tepër. Mjerisht K. i Financave, solli konfuzion në mes të shokëvet mbasi “Federata Atdheu” nuk kërkonte pullë, por qi për ç’do akt privat të taksuem prej Shtetit të përdoret nji kartë e posaçme. Për këtë kartë Shoqníja “Federata Atdheu” të kishte të drejtë shitjeje me anën të kartë-shitësit d.m.th. se un kur kam me shkrue nji lutje më duhet me i vûe pullë kësaj, e në vênd qi me shkrue letër çfarëdo do të përdori kartën e Federatës “Atdheu”. Ç’ka do të bjerri unë mbasi karta qi do t’a blej jashtë ke tregëtari kushton 10 santim e karta e Federatës kushton edhe ajo 10 santim. Ç’farë konfuzionit do të ketë Shteti?!!!! Këtu do të kishin të drejtë me u qa vetëm disa tregëtarë qi shesin kartë ; ky âsht i vetmi kundrështim apo kufizim i tregëtís. Në tregëtínë e përgjithëshme âsht edhe nji tregëtí shkresurinash : kartë, lapsa, melan etj…. Mbrênda kësaj tregtíje âsht edhe tregtíja e kartës së përgjithëshme ; po mbrênda tregëtís së kartës së përgjithëshme âsht edhe tregtíja e nji kartës qi konsumohet për aktet e taksueme. Ky âsht nji kufizim kaqë i paktë si me i hedhë nji pikë ujë në det ; nji gjâ kaq e vogël sa kurkush nuk ka me u qá. Në qoftë se në Shqipní ka nji mijë tregëtarë qi shesin karta, 1000 do të bjerrin nga 10 franga në vjet, por Shoqënija “Federata Atdheu” fiton 10.000. Kujtoj se këto 10.000 franga nuk i fiton nji njeri, por po i fiton populli e po i përdor për të mirën e Atdheut. Me dhjetë frânga dâm qi mund të ketë nji tregëtar në vjet me kufizimin e kartës e tregëtís së kartës do të fitojë naltësimin kultural e moral të popullit. Besoj se mbas këtyne shpjegimevet me këtë kartë nuk do të cënohen aspak të drejtat e Shtetit e prandaj proponoj qi përmêndorja “Federata Atdheu” të pranohet integralisht, e cila në kërkesën e saj për t’i arrirë qëllimit të vet âsht bazue mbi lehtësinat qi do t’i bâjë populli dhe Qeverija.

 

  1. L. Gurakuqi : Kërkon këndimin e Art. 2 të Traktatit.
  2. M. i P. të Jashtme : Këndon Art. 2 të Traktatit, i cili âsht ky :

Art.2.  Qeveríja italjane për të dhânë provë të ndjenjave të saj për respektimin e sovranitetit shqiptar përmbi Vlonën, si edhe për tansín toksore të Shqipnís, ka me çue në vêndin e vet ushtrín italiane, tani për tani të ndodhun në litoralin e saj, si dhe në gjithë Shqipnínë, përveç Sazanit.   

  1. M. Kruja: Mbi çâshtjen’ e kufinit prendimo-veriorelindor bashkohem pikë për pikë me Z. Gurakuqin. Sa për masat qi përmênd Z. M. P. Jashtme qi ka marrë mbi sigurimin e këtyne kufîjve megjithë qi jam i kënaqun deri diku, kujtoj se do të kishte bâ dhe mâ tepër e meqi s’ka kalue koha të marrim masa mâ të forta. Ministri i P. Jashtme thotë se i kanë dhanë të gjitha instruksionet e nevojshme delegacivet t’ona në Paris e në Gjenevë. Kur ka vênde me strategjí ekonomike të gjithë shtetet e botës u shoqnojnë delegatvet të vet edhe eksperta mbi asoj çâshtjesh t’ímta e këto rregullisht oficera të Shtetit Madhnuer. Na nuk kemi kësí njerëz por ndofta do të gjindet nonji qi sado qi nuk do t’ishte i Shtetit Madhnuer do t’i dinte ato kufîj e do të kërkonte ato vênde strategjike e ekonomike të visevet të Gorës, Veleçikut etj. Në qoftë se jemi në kohë edhe kisha me thânë me çue nji a dy prej këtyne vetëve për me ndihmue delegacionet t’ona në kësí çâshtjesh. Un çâshtjen e Veleçikut e të Gorës nuk e quej çâshtje lokale po çâshtje vitale, po në qoftë se nuk duem të shtrëngojmë malësorët t’onë ekonomikisht të bâhen veglat e të huejve kundra Atdheut, mbasi i hueji nuk mungon për këto mjete shumë të ndyra. Sa për çâshtjen e kufîjvet të jugës bashkohem me Z. Omari e dëshëroj qi Z. Ministri t’na japë shpjegime mbi ato vise qi gjinden në dorë të Grekut. Shumë gazeta italiane qi kemi këndue mbi Ishullin e Sazanit thonë se zaptimi i këtij nuk e prish integritetin e Shqipnís, bile Tribuna thotë se nuk âsht Ishull shqiptar. Mbasi Z. Ministri thotë se Sazanin e konsideron si nji pjesë të pandashme të Shqipnís e gëzohemi shumë qi Qeverija e ka në program integritetin e Shqipnís e s’do të lejë asnji masë pa marrë për me i sigurue Sazanin Shqipnisë. Për ç’i përket regjistrimit të traktatit me Lidhjen e Kombeve Qeverija ka bâ shumë liksht tue regjistrue pa e paraqitë në parlament për pëlqim. Sa për çâshtjen e Emzot Nolit nuk mund të bashkohem me z. Ministër. Zotni e tij thotë kemi bâ nji telegraf e i kemi kërkue qi deklaratën në qoftë se e ka bâ t’a përgënjeshtrojë, tue thânë se s’e ka bâ nga ana e Qeverís. Ndofta do të thotë ndokush se tue hekun Fan Nolin prej atij vêndi do të kishim nji dâm, por unë them se do të ishte shumë mâ i madh qi ai të rrijë atje. Ajo punë mbyllet vetëm me nji rrugë : tue hjekë delegatin Emzot Fan Nolin prej andej, mbasi e ndênjmja e tij atje âsht shum’ e dâmshme për Shqipní.

 

Marrë nga vëllimi : Mustafa Kruja  “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”

URDHËRI FRANÇESKAN I MINORËVE NË SHQIPËRI 1295 – FRA DOMENICUS ALBANESE OFM (FRA DEDA) – Nga Lutfi ALIA

 

Dy historianë Anastasi L. M, Bartolini R., në vepren “Breve storia della famiglia Francescana”, botim i vitit 2013 (f. 80), shkruajnë se Urdhëri i Minorëve Françeskanë, hyri në Allbania në vitin 1240. [1] Këtë mendim ata e bazojnë në të dhënat e disa historianëve dhe kronistave të mesjetës të vonshëme, të cilët duke u bazuar në mbishkrimin e gdhendur në arkitraun e portës të Kuvendit të Shën Maria në Lezhë: “Hoc templum fratrum Minorum aedificatum est anno MCCXL – Ky tempull i fratënve minor është ndërtuar në vitin 1240”, e lidhin fillimin e misionit françeskan në trojet arberore, me vitin e rindërtimi të këtij Kuvendi, ndërsa ne fakt prania e urdhërit te minorëve ishte dhe më i hershëm.

Marcellino da Civezza, në vepren “Storia universale delle missioni francescani”, botuar në Romë në vitin 1861, tregon se françeskanët e nisën ungjillizimin e arbërorëve, që në fillimet e themelimit të urdhërit të tyre, madje me vetë Françeskun, i cili gjatë kthimit nga Siria, në shtator 1220 u ndal në Kuvendin e Shën Maria në Lezhë, ku dhe vuri themelet e Urdhërit të pagëzuar me emrin e tij. Gjatë shetitjeve në Lezhë, Françesku me shkopin e tij, gërrmoi dhe nxorri me rrënjë një fidan pishe të egër, të cilën e mori me vehte dhe kur arrijti në Venecia, e mbolli në oborrin e kishës në ishullin Dezertino. Populli e quajti Pisha e Shën Françeskut dhe besimtarët, shpesh merrnin copa të levores së pishës, si relikue në kujtim të Atit Serafik. [2, 3, 4, 5. 6]

 

                                                        

 

Shën Françesku në Lezhë, me fidanin e pishës. Afreskt në Kishën e Don Lleshit në Lezhë,

vepër e piktorit Pashk Pervathi – Mjeshtër i Madh.

 

At Bonaventura Da Akuaviva – Marke, në vitin 1861 ishte misionar në Albania dhe duke treguar për vizitën në selinë e Prefektit Apostolik të Urdhërit të Fratenve Minorë në Lezhë, dëshmon se kishte lexuar një dorëshkrim të vjeter, ku theksohej: La detta Chiesa è stata edificata per i Frati Minori, pochi anni dopo la morte del nostro Santo fondatore, che segui anno 1226, addi 3 di ottobre – kjo kishë ishte ndërtuar per fratenit minorë,  pak vite pas vdekjes të Shenjtit tonë Themelues, që ndodhi në 3 tetor 1226”. [2, 3, 6]  

Kjo deshmi, verteton se françeskanët ishin të pranishëm ne Albania para vitit 1240.

Sipas një doreshkrimi të vitit 1720 të At Lorencos, dëshmohet se Kuvendi i Shën Maries në Lezhë ishte më e vjetër, i themeluar nga urdhëri Benedektin dhe fillimisht mbishkrimi ishte i gdhendur në greqishte të vjetër, por më vonë u përkthye dhe u gdhend në latinisht në arkitraun e portës të kishës së rindërtuar. [2, 6]

Aktiviteti i minoriteve françeskanë në trojet albaneze para vitit 1240, vërtetohet me një dokument tjetër, me bulën e vitit 1236 të Papa Gregori IX, ku thekson: “Disa pjestarë të urdhërit françeskan, kanë shkuar në Albania me dëshirën e tyre”. [2, 6, 7]

Viti 1236 i bulës, sugjeron qartësisht se urdhëri i minorëve, ishte aktiv në trojet tona para vitit 1240.

Për praninë urdhërit françeskan para vitit 1240, dëshmojnë dhe shumë autorë të tjerë si Wadding (Annales 1366, nr. 15 e 16), De Gubernatis (Orbis Seraphicus, 1682, lib. I , f 109 dhe libri V, f. 414); D. Fabianich (Storia dei frati minori, 1863, v. II, f. 337); Sirdani (Françeskanët, f. 12). [8, 9, 10, 11, 12]

Shumë fratën OFM italianë dhe albanezë, në shekujt XIII – XV shërbenin në kishat dhe manastiret albaneze, si shkruan Wading: “Në Albania u përhapën në mënyrë të mrekullueshme dhe i bindën shumë albanezë, të veshin rrobën e murgjërve françeskanë”. [11]

Sipas Gubernatis, Urdhërat Françeskanë u zgjeruan vazhdimisht, aq sa në dekadat e para të shekullit të XVII, misionarët minor përbënin numërin më të madh të klerikëve në trojet albaneze. Shumica e murgjërve minorë, ishin përhapur në zonat malore, sidomos në Dardani, ku u formua Prefektura Apostolike e Maqedonisë dhe me pas u formuan Prefekturat e Serbisë, të Pultit dhe të Kastratit. [12]    

Sipas dokumentave të Kongregacionit të Shenjtë të Propogandës Fide, në vitet 1283 – 1288, në trojet arbërore u ngritën disa kuvende të fretërve minorë në dioqezat shufragane të ipeshkëvive të Tivarit, Ulqinit, Shkodrës, Durrësit, Ohrit, Shkupit.

Përhapja e tre urdherave Françeskanë në trojet e banuara nga albanezët, u favorizua dhe nga rrethanat politike dhe fetare të Albanisë në shekujt XIII – XIV. Në Shtetin e Arbërit (1190 – 1255), princat e dinastisë Progoni u lidhën me kishën katolike. Dhimitër Progoni, Arkondi i Madh, u lidh me Papën Inoçenti III, të cilit i premtoi se Ai vetë, familja e tij, fisnikët, bujarët dhe banorët e principatës, do të ktheheshin në fenë katolike, andaj për ta nderuar për këtë nisëm, Papa e shpalli “Judex Magnum”.

Gjate Regnum Albaniae me mbretin kaltolik Karlin e I Anzhu (1267 – 1368), kisha katolike u fuqizua dhe e shtriu gjërësisht aktivitetin në trojet arbërore, ku përparësi kishin të tre urdhërat françeskanë. Si kuptohet, Mbretëria e Albanisë formonte një komunitet politik dhe fetar katolik.

Fuqizimi i kishës katolike vazhdoi dhe me Princin Karl Topia (1368 – 1388), të cilin Papa e nderoi duke i dhënë titullin e Kontit.

Rikujtojmë se në shekullin e XIII, Kryeipeshkevia e Tivarit ishte e ekspozuar ndaj rreziqeve, që i kanoseshin si nga kryeipëshkevia e Raguzës, ashtu dhe nga interesat e Serbëve, që ishin teper aktiva, madje agresiva në përhapjen e ortodoksisë. [13]

Qendra e parë e urdhërit françeskan në trojet arbërore ishte Tivari, ku ndodhej dhe Arkipeshkëvia nga rrezatonin të gjitha aktivitetet misionare në trojet tona dhe nga këtu e shtrinë aktivitetin misionar në Bosnie, Kroaci, Dardani dhe Serbi. [2]

Në vitin 1248 Papa Inoçenti IV emëroi arkipeshkëv metropolitan te Tivarit, Fra Giovanni nga Pian Karpino OFM. Imzot Gjoni u impenjua për të ripërtëritur ndjenjat katolike ndër arbërorët, andaj luftoi me vendosmëri kundër ortodoksizimit serb, kundër sllavizimit dhe kundër bizantizmit të arbërorëve, kësisoj Ai u bë pengesa serjoze e shizmës. Gjatë aktiviteteve apostolike, Imzot Gjoni nxorri rregulla dhe urdhëra, për të cilat Papa Inoçenti IV e vlerësoi dhe e lavderoi. [2, 6, 10]

Sipas historianës Etleva Lala, Kur At Gjon Plan-Karpino OFM u emërua kryeipeshkëv i Tivarit, ishte koha kur pas përpjekjeve të shumta për autonomi nga Raguza, Veriu i Albanisë po piketonte ndjenjat e shqetësimit jo vetëm kundër Raguzës, por dhe kundër papatit, i cili kishte shkishëruar disa ipeshkëv

të Tivarit, vetem sepse ato nuk i ishin nënshtruar kryeipeshkvisë së Raguzës”. [9]

Problemi serjoz i atyre viteve ishte se benedektinët dhe domenikanët nuk po i rezistonin presioneve të ortodoksise serbe e për këtë arsye, Imzot Gjon Plan-Karpino, dërgoi fratë minoritë italianë dhe albanezë nëpër famullitë e ndryshme albaneze, ku ata morën ne dorezim shume kisha dhe manastire  benedektine dhe domenikane. Ky ishte veprim i mençur i Imzot Gjon Plan-Karpino, pasi kishat dhe manastiret të braktisura, rrezikonin te merreshin nga kleriket ortodokse, që bridhnin nëpër trojet arbërore. [2, 6, 9, 12]

 

Fragment nga libri i M. Da Civezza, ku përshkruan figurën e Imzot Gjon Pian Karpino OFM

dhe vleresimet e Papa Inoçenti IV, kur e emëroi arkipeshkëv metropilitan i Tivarit në Albania.

 

Vlen te theksojme se ne fillimet e aktivitetit te misioneve françeskane në trojet albaneze, ishin te pranishem dhe shume freter minorë albaneze, ndër të cilët rendisim disa më të shquarit: [2, 6, 16, 17, 18]

– At Nikolla Abacia nga Velia,

– Dy misionarë OFM me emrin Françesk nga Shkodra,

– Dy misionarë OFM Andrea dhe Tomasi nga Durrësi,

– Nicolaus Durrachio OFM (Nikolla Durrsaku). Në bulën e Papa Inocennti IV të 2 shtatorit 1254,

drejtuar John d’Aversa, ministrit Provincial të Fratënve Minorë të Kalabrisë, e njoftonte për emëri-

min ipeshkvi i Krotone të Nikolla Durrsakut OFM, per të cilin shprehet: “I shquar për cilësi të

shkëlqyera kulturale, politike dhe ekspert i gjuhës latine dhe greke: Dilectum filium magistrum

  Nicolaum de Durrachio, camerae nostrae clericum, in latina e et grecum lingua peritum”.

Imzot Nikolla Durrsaku, përmendet dhe në një letër të viti 1263 të Michael VIII Paleologu, i cili ia

dёrgonte Papёs Urbani IV, ku i shkruan me konsiderata per aktivitetin apostolik tё imzot Nikolles.

– At Cipriani nga Tivari në vitin 1288, te cilin Papa Nikolla IV e dërgoj ne takim me mbretereshen

Helena, gruan e Car Urosh Milutinit.

– Fra Domenicus Albanensis OFM 1295, kishte lidhje gjaku me princa të Albanise së mesme.

– At Shtjefni nga Shkodra në vitin 1300, ishte vikar i kuvendit Male Braçe në Dubrovnik. etj, etj.

Pak vite më vonë urdheri i Minoritëve Françeskanë u vendos dhe në Ipeshkevinë e Durresit, e cila mbulonte Arberinë qendrore, Skampen, Ohrin, Shkupin. [6, 8, 9]

Tre urdhërat françeskanë u mirëpritën dhe u përqafuan shpejt nga arberorët. Nga gjysma e dytë e shekullit XIII dhe në vazhdim, françeskanët përbënin numërin më të madh të klerikëve në trojet tona, madje u hynë në thellësi të zonave malore, ku zevendesuan benedektinet dhe domenikanet, qe i kishin braktisur kishat dhe manastiret. Françeskanet fituan admirimin dhe përkushtimin e besimtarëve, të cilët tregonin rrëfenja dhe legjenda për Shen Françeskun, për devotshmërinë e Shën Antonio i Padova dhe të shumë klerikëve françeskanë.

Papa Bonifaci VIII me bulën “Cupientes Cultum” të shpallur  më 11 korrik 1295, i lejoi të Tretët Rregulltarë, të krijojnë vendet e kultit, si dhe të intensifikojnë misionet me udhëtimet apostolike, për propogandimin e ungjillit ndër besimtarët. [12]  Aktiviteti i Urdhërit të Rregulltarëve u shtri dhe në Albania, si e dëshmon një figurë e shquar e të Tretëve Minoritë, Galvanus di Levanto Januensis, që ishte mjeku personal i Papës Bonifaci VIII (Al Santissimo Pontifice, Galvano di Levanto, di Genova, una volta medico). [12]

Galvanus di Levanto Januensis OF, është autori i disa doreshkrimeve, te permbledhura ne vellimin: Manuscritum Latin N. 3181 Biblioteque Nacionale Paris, fol. 28 r. [12]

  1. Dorëshkrimi i parë është “Liber doctrinae agni immaculati Ih. Christi, ad reverendum magistrum

     sum, fratem Benedictum de Alba, Ordine Fratum Minorum”, i cili i bën lutje sublime Jezu Krishtit:

“Ergo bone Iesu Christe, agnus immaculatus, te observo reverenter, doce me quod tenear de

doctrina tue humulitatis profunde, ut jam totus in disciplina discipulus, coheres mera gratia valeam

ese tuus”

  1. Dorëshkrimi i dytë: “Liber de amando Deum”, i dedikuar “Fratrem Minorum Ordinis Francisci”
  2. Vepra e tretë është: “Tyriaca mortis spiritualis gradiens super tyriacam medicorum”, i dedikuar

fratit Filip Pynaoli (Philiponum de Pynarolio), Ordinis Fratrum Minorum.

  1. Dorëshkrimi i katërt: “Tractatus alphabeti christifere Marie …” ia ka dedikuar fratit Andrea

Panzannum Ordinis Fratarum Minorum.

  1. Doreshkrimi i pestë: “Ars navigativa spiritualis” ia ka dedikuar Ministrit Provinciale të Tokës së

Shenjtë, fratit Nikola de Sali OFM, me qendrim në Qipro

  1. Dorëshkrimi i gjashte i vitit 1295 eshte traktati “Neophyta doctrina de inferno, Purgatorio et

   Paradiso ad Principes Albaniae – Doktrina e re e ferrit, purgatorit dhe e parajsës, për princat

   Albanezë”. [12]

Galvano di Levante thekson se këtë traktat e shkruajti me kërkesat insistuese te fratit Domenico Albanese OFM, i cili atë kohë ishte shugruar prift i Kishës katolike. Fra Domeniko (Deda) ishte nipi i një princi albaneze. Galvano shkruan se Fra Domeniko i përsëriste shpesh kërkesën: “Impara, o medico cristiano, impara dal medico che è disceso dal Cielo, qui de celo descendit ut sanaret egrotos, ne differas”. [12]

Frati Domeniko jetonte në Genova, ku kishte familjen e tij dhe disa bashkatdhetarë.

Gjatë udhëtimeve apostolike në Albania, Frati Domeniko Albaneze (Deda), u kishte dorëzuar princa-ve dhe klerikeve vendas, kodin e shkruar nga Galvano, i cili në parathënie iu drejtohej: “Agli illustri uomini di onore dell’Albania, ai signori Bardo Matarango, Mauro Duci, Alessio Comiti, Demetrio Olfano, Demetrio Scura, al conte Giovanni, figlio di Zaccaria Scurra, Giovanni Sbramuno, Canestio Blevestio, cavalieri, Michele Cachoraga e a tutti gli altri baroni neofiti della nazione Albanese, per la restaurzione della fede ortodossa e la riconciliazione per il buon proposito verso la Santa Chiesa Romana – te shkelqyerve burrave të nderuar të Albanise, zotërinjeve Bardh Mataranga, Mauro Duçi, Aleks Komiti, Demetrio Olfano, Demetrio Skura, kontit Giovanni (Gjoni), djalit të Zakaria Skura, kalorëseve Giovanni (Gjon) Sbramuno, Kanestio Blevestio (Blinishti ?), Mikel Kakoraga dhe te gjithe baronave rishtar të kombit albanez, që e braktisën besimin ortodoks dhe janë pajtuar përsëri me Kishën e Shenjtë Romane”. [12]

Goluboviç thekson se ky dorëshkrim është një faqe tjetër e panjohur e historisë te apostolatit françes-kan në Albania. Megjithatë, historia e këtij kodi dhe roli i Fra Dedës OFM, përmenden nga historiani Kohler, në veprën e tij “Mélanges pour servir a l’histoire de l’Oriente Latin et des Croisades”, i cili përshkruan dhe disa pjesë të tekstit të këtij kodi. [12, 15]

Ne kete doreshkrim titujt e fisnikerise te princave arberor jane perendimor, çka shpreh qarte konver-timin e tyre ne katolike, ne ndryshim nga nje pjese e fisnikerise arberore qe vazhdonte te mbante tiutjt bizantine, ose te dy se bashku, si rasti i Dhimiter Progonit, qe njihej si Arkondi i Madh dhe “Judex Magnum”

Murgu Deda (Domeniko Albaneze) ishte klirike i njohur, i shquar per zotësí dhe dije, madje Selia e Shenjte e Romës shpesh e kishte ngarkuar të ndërmjetesonte pranë princave albaneze, që te kthehe-shin në kishën katolike, pasi kohë më parë, shumica e tyre kishin përqafuar ortodoksine, për interesa me mbretërinë sllave, ndersa ato të trojeve jugore, vazhdonin t’i shihnin me interes lidhjet me Bizantin dhe Kishën e Kostantinopojës. [6, 8, 12, 15]

Konvertimi i fisnikeve ne katolike, shoqerohej dhe me kthimin e te gjithe banoreve.

  1. Galvano ka dhe një doreshkrim tjeter “Liber Sancti Passagii”, shkruar para vitit 1295, me te cilin i drejtohej mbretit të Francës Filipi i Bukuri, por ky traktat nuk paraqet interesa për ne.

 

 

 

Frontespici i dorëshkrimit me emrin e Galvanus Di Levanto Januensis, autor i kodikut i vitit 1295:

Neophyta doctrina de inferno, Purgatorio et Paradiso ad Principes Albaniae”.

 

Papa Inoçenci i IV, i kenaqur per aktivitetin e misionareve françeskane ne Albania, zgjodhi ndermjet tyre me te shquarit dhe emeroi njërin Kryeipeshkev të Zares, tjetrin Kryepeshkevi i Tivarit (pas vdek-jes te At Gjon Plan-Karpino), si dhe emëroi fraten françeskane, ipeshkëv ne disa dioqezat sufragane.

Ne shekujt XIII – XV, Kryeipeshkevia e Tivarit, mobilizoi shumë fratën minoritë italianë dhe alba-neze, të cilët i dërgoi me misione për të predikuar ungjillin dhe per te mobilizuar popullin kunder heretikëve, shizmatikëve dhe paganëve në Serbi, Bosnie, Kroaaci, Valaki dhe ne Moldavi, duke kontribuar në ripërtritjen besimit katolik dhe ne keto vende. [2, 7]

Literatura:

 

  1. Anastasi L. M, Bartolini R. Breve storia della famiglia Francescana. Convento di Monteripido, Perugia. Epifania 2013. f. 80
  2. Marcellino da Civezza M. O. storia universale delle missioni francescane.

Vol I. Roma Tipografia Tiberina. 1857, f.124 – 125

  1. Golubovich Girolamo OFM. Della Terra Santa e dell’Oriente Francescano. Tom III (dal 1303 – 1332). Firenze. Collegio di San Bonaventura 1919, f, 90 dhe 225
  2. Tommaso Da Celano, 1. Vita prima di San Francesco d’Assisi, 1228.
  3. Alia Lutfi. Urdheri Françeskan ne Shqiperi. I, II Zemrashqiptare 2014.
  4. Primaldo Koko OFM. Miscellanea. I francescani in Albania. Rivista Studi Francescani Nr XXX; 1940, f. 229 – 247
  5. Shalloczy: Illyrisch-Albanische Forchungen II, pag 207. Cituar M. Da Civezza, Roma 1861, pag 395
  6. Daniele Farlati: Illiricum Sacrum. 1751, VII, f. 35.
  7. Etleva Lala: Klerikët shqiptarë të mesjetës në arkivat e Dubrovnikut. Pashtriku.org, 15. 05. 2016:
  8. Donato Fabianich. Storia dei frati minori, 1863, v. II, f. 337
  9. Annales anno 1366, nr. 15 e 16
  10. De Orbis Seraphicus, 1682, lib. I , f 109 dhe libri V, f. 414
  11. Šufflay Emilianus. Acta et Diplomata res Albaniae Medievalae aetatis Illustrantia. Vol I. II. Zagabria 1918, f. 402
  12. Galvanus de Levanto Januensis. Neophyta doctrina de inferno, Purgatorio et Paradiso… ad Principes Albaniae. Biblioteque Nationale de France. Departement de Manuscrite. Latin 3181. Roma 1295, f 89
  13. Charles Alfred Kohler, Revue de l’Orient Latin e des Croissade, Vol. VI (1898), pp. 343-369
  14. Virgilius Greiderer. Storia dei fratti minori, dai primordi dalla loro istituzione 1777. L I,f. 120.
  15. Alexis Alexander: Codex Parisinus Graecus 1115. Ribotim i vitit 1996, faqe 237 – 238
  16. Fra Unghelli N Coleti: Italia sacra; Vol IX. Venice 1721. f. 385

Isuf Kalo: Marrëdhënia e vjehrrave dhe nuseve në diktaturë. Roli i dados me origjinë çeke në familjen e Mehmet Shehu. Udhëtimi i papritur i Enverit në Moskë

Mjeku i njohur, Isuf Kalo në librin e tij sekretet e “Bllokut” ka rrëfyer disa nga ngjarjet historike të kohës, sipas këndvështrimit të tij.

Në librin e botuar nga UETPress, Kalo tregon historinë e Maria Saas, e cila ishte dadoja me origjine çeke, e 3 fëmijëve të Mehmet Shehut.

Në këtë libër, Isuf Kalo trajton marrëdhëniet mes nuseve dhe vjehrrave të Bllokut, vizitën e Hrushovit në Tiranë dhe mjaft detaje interesante.

Nga Isuf Kalo

Mjekët e Klinikës Speciale ishin veçanërisht të kërkuar dhe më të preferuar nga nënotë dhe më rrallë nga baballarët e moshuar që banonin në Bllok së bashku me djemtë e tyre tashmë funksionarë të lartë. Në këtë vështrim, Blloku dukej edhe si një pensionat ose si ambient geriatrik. Veçanërisht kur djemtë dhe gratë e udhëheqësve, si edhe fëmijët e rritur të tyre iknin në punë dhe në shkolla, nënotë ndiheshin zonja shtëpie dhe thërrisnin më shpesh për vizita mjekësore. Në vitet e parë kur isha mjek shumë i ri, disa prej tyre i kam vizituar dhe mjekuar edhe unë.

Por një kolegu ynë ishte më i suksesshëm dhe më i preferuar prej tyre, sepse përveç muhabetit të gjatë e të ëmbël dhe komplimenteve që u bënte, të moshuarat i ngopte me vitamina e barna gjithfarësh, me “gjilpëra për fuqi” deri dhe serume me glukozë “për të ushqyer e shtrirë lëkurën”, madje dhe për t’i rinuar sadopak. Nga ana tjetër, belaja ishte se devocioni ynë ndaj “nënove vjehrra” nuk ishte gjithmonë i mirëpritur nga disa prej nuseve të djemve udhëheqës. Raportet e njohura nuse-vjehërr nuk ishin krejt ndryshe as në Bllok.

Në një rast që unë konstatova shfaqjen e ikterit (zverdhjes së sklerave të syrit) te njëra nga të moshuarat, bashkë me kolegët e mi dyshuam për ndonjë tumor kanceroz që shtyp kanalin e tëmthit, por nuk përjashtuam as mundësinë e një infeksioni viral. Asokohe nuk dispononim aparat ekografie ose skaneri, prandaj së pari e mjekuam intensivisht si infeksion me antibiotikun rifocinë, i cili në rast se do të jepte efekt e rrëzonte indirekt diagnozën tumorale. Bëmë injektimin intravenoz brenda në serum disa herë në ditë. Rifocina kishte ngjyrë të kuqe dhe e ngjyroste në të kuq të gjithë serumin. Pas disa ditësh, ndryshe nga diagnoza fatale që u hamendësua, e moshuara u bë mirë. Zverdhja u pakësua dhe po kështu u ul temperatura.

Por Nënoja nuk donte t’ia ndërprisnim kurën. “Atë të kuqen, mor bir, mos ma hiqni, se vetëm ajo më bën mirë!”, na u lut ajo. Por e zonja e shtëpisë, ndoshta e mërzitur edhe nga ecejaket e shumta të farefisit të së sëmurës, pyeti me ironi: “Akoma do të vazhdoni ju me serume?”. Pastaj ajo me gjysmë sarkazme vazhdoi: “Ju lumtë që qenkeni kaq të zotë me plakat. Por a do të bëni dot vallë të njëjta mrekulli edhe me bijtë e tyre!?”. Në fakt nuk e tha keq. Të tilla mrekulli për fat të keq ne jo gjithmonë arrinim t’i bënim. Kjo, pavarësisht dëshirës sonë të mirë.

E moshuara më e çuditshme dhe më misterioze brenda Bllokut të udhëheqësve tanë ishte një grua e huaj vetmitare, beqare, me origjinë çeke e me shtetësi polake, e cila jetoi rreth 50 vite brenda Bllokut dhe vdiq po aty në moshën 85-vjeçare. Quhej Maria Saas, por më pas thirrej edhe Maria Saas Shehu. Ajo pati punuar pak kohë te një familje shqiptare me mbiemrin Libohova, derisa në vitin 1958 një ditë si papritur (sepse askush nuk e di se si, pse dhe kush e rekomandoi apo e ndihmoi) ajo do të hynte në familjen e Mehmet Shehut me detyrën e dados së tre djemve të tij. Prej andej do të dilte pas gati gjysmë shekulli e vdekur.

Misteri i hyrjes dhe i pranimit në familjen e Mehmet Shehut në zemër të Bllokut të kësaj gruaje të re të huaj me origjinë, me biografi personale dhe me të kaluar krejt të panjohur, nuk është sqaruar dhe as hulumtuar thellësisht ndonjëherë. Madje as edhe atëherë kur shumë vite më vonë Mehmeti, fill pas vetëvrasjes, do të akuzohej si “agjent polivalent i KGB- së sovjetike dhe i CIA-s amerikane dhe armik i Shqipërisë”.

Çudinë e shtonte fakti që në vitin 1954, pra katër vite përpara kësaj ngjarjeje, Mehmeti pasi pati qenë shumë vite ministër i Brendshëm, ishte ngritur në detyrë në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Këtë post bashkë me disa poste të tjerë të lartë, atë të Sekretarit të Parë të Partisë, të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, të kryetarit të Frontit Demokratik dhe të ministrit të Jashtëm i pati mbajtur ekskluzivisht të gjitha Enver Hoxha.

Kalimi i postit të kryeministrit nga Enveri te Mehmeti ka shumë të ngjarë të ketë qenë i detyruar në kuadrin e presionit që bënte Hrushovi pas vdekjes së Stalinit në kuadrin e luftës kundër “kultit të individit” dhe për ndryshime në udhëheqjen e lartë të “partive motra” komuniste. Hrushovi nisi t’i pastronte ato nga sekretarët e parë të kohës së Stalinit. Pas fushatës antistaliniste të nisur nga Hrushovi, kriza e marrëdhënieve tona me kampin socialist ndihej edhe në Shqipëri. Pritej që Mehmeti, si më i preferuari i sovjetikëve, të zëvendësonte Enverin në krye të partisë. Ky i fundit mund të përfundonte ministër Bujqësie.

Por Enveri e parandjeu rrezikun dhe në vitin 1955 udhëtoi papritmas, i vetëm për në Moskë. Aty pati bërë vizita dhe takime konfidenciale me disa personalitete VIP. Thuhet se kur u kthye prej andej, Mehmeti tashmë, disi i fryrë dhe i përkëdhelur thuajse hapur prej sovjetikëve hrushovianë, as nuk e priti në aeroport. Madje me pretekstin e luftës ndaj privilegjeve, i pati hequr Enverit në mungesë të tij makinën dhe truprojën personale. Kurse Nexhmijen e pati shkarkuar nga posti i Kryetares së Bashkimit të Grave të Shqipërisë.

Mirëpo ishte nxituar. Me sa rezultoi më pas, Enveri i pati fituar në Moskë postet që donte t’i mbante për vete si dhe ato që do t’i ndante. Ai ruajti për vete postin e Sekretarit të Parë të Partisë dhe ndau pushtetin qeveritar me Mehmetin, duke e emëruar atë kryeministër të Shqipërisë. Njëri do të kryesonte partinë dhe tjetri, si pasardhës potencial i tij, qeverinë. Ky kompromis u ruajt heshturazi, i paprekur nga të dy, deri në vitin tragjik 1981.

Mehmeti ishte prej katër vitesh kryeministër, kur Maria hyri në Bllok dhe në shtëpinë e Mehmet Shehut, si dado e fëmijëve të tij. Duke qenë pa strehë e pa familje, ajo u strehua aty, si njeri i brendshëm i familjes Shehu. Në vitin 1958 fërkimet dhe mospërputhjet e qëndrimeve të Enverit me sovjetikët u bënë të nxehta. Në vitin 1959 Hrushovi erdhi për vizitë dyjavore në Shqipëri për t’i ftohur ato. E gjithë Tirana doli në rrugë për ta pritur me këngë e valle, dhe me pllakata e flamuj në duar.

 

Enveri trupmadh dhe Hrushovi, topolak i shkurtër, u përqafuan fort-fort dhe u puthën në buzë, faqe tërë turmës në aeroport. Unë isha maturant në gjimnazin “Qemal Stafa”, i vetmi gjimnaz në Tiranë në atë kohë dhe ne të gjithë nxënësit e përshëndetëm Hrushovin tullac kur kaloi përpara gjimnazit tonë në Rrugën e Durrësit. Një shoku im i klasës, pasi turma u shpërnda, tha i mërzitur: “Me siguri Hrushovi do ta marrë me vete Enverin në Moskë dhe do ta bëjë anëtar të Byrosë Politike atje, se e vlerëson dhe e do shumë. Ai është kolos dhe i lindur që të drejtojë një vend të madh”. Por një tjetër tha me të qeshur: “Mirë, po mos na e merr për fare e nuk na e kthen më!”, dhe shkeli syrin. Asnjëra nga këto të dyja nuk ndodhi. Sovjetikët dhe shqiptarët u grindën e u zunë dhe Enveri, Mehmeti e Hysniu qëndruan të bashkuar, pa u ndarë. Ndërkohë, Maria misterioze kryente detyrën e dados brenda Bllokut, në shtëpinë e kryeministrit, pa u përzier në politikë.

Fakti që ajo vinte nga një zonë që ndodhej nën influencën sovjetike, pa asnjë dokument me vete, mund të kishte mjaftuar që, për arsye sigurie, ajo të mos lejohej të hynte në Bllok e paverifikuar. Biografia e saj si person nuk njihej fare dhe as që u bë e mundur të njihej më pas. Ndërkohë që në Bllok u bëhej “biografia” edhe shoferëve dhe hidraulikëve, madje edhe zogjve përpara se t’i lejonin të hynin dhe të fluturonin brenda tij, përse për këtë grua u bë një përjashtim kaq i pazakontë!? Nga buronte siguria dhe garancia politike për të?

Maria rezultonte fare pa familjarë apo të afërt, pa adresë banimi të mëparshme dhe pa miq apo fqinjë të njohur. Ishte vetmitare, beqare, pa lidhje sentimentale, pa dëshmi për mirësjelljen apo aftësitë profesionale, pra ishte si një bimë e rrallë, e një lloji të panjohur, që nuk dihej se ku dhe si kishte mbirë. Thuhet se Mehmet Shehu u përpoq intensivisht, me anë të qeverisë së Çekosllovakisë së atëhershme, të gjente rrënjë familjare apo ndonjë të afërm të saj. Asgjë! Përfundimisht, ai e adoptoi atë shpirtërisht. Madje jo vetëm ai, por e gjithë familja Shehu, e njohu si pjesëtare të vet.

Marien unë e kam parë dhe takuar vetëm dy herë brenda vilës së Mehmetit. Nuk e kam vizituar si mjek, as kam bërë bisedë të gjatë me të. Shqipja e saj ishte e natyrshme të kishte theks të huaj, por ishte e kuptueshme. Asokohe ajo ishte relativisht e moshuar dhe çka më ka surprizuar më tepër ishte mënyra plot afeksion sesi u fliste dhe bisedonte me zogjtë e saj në kafaze, sikur ua dinte gjuhën.

Nuk besoj se u kërkonte ose priste prej tyre diçka si në vargjet e këngës mallëngjyese “Ju që shkoni det e male dua t’ju pyes e mjera”. Ajo i ushqente ata në disa kafaze në korridorin para dhomës së saj dhe ndoshta u kishte vënë secilit edhe emër.

Ngjante si një e burgosur pa pranga, pa gardianë, e lirë të shëtiste brenda të gjitha dhomave dhe hapësirave të shtëpisë, të shkonte në qytet, madje të frekuentonte, pa asnjë kompleks, kisha apo tempuj të shenjtë jashtë Tiranës, ku e shpinte me veturë Aliu, komandanti i truprojave të Mehmetit. Kujt dhe për çfarë lutej ajo vallë? Dhe kjo ndodhte në një vend të shpallur ateist dhe kur ajo ishte tashmë pjesëtare e një familjeje muhamedane, të parët e së cilës kishin qenë shehlerë, besimtarë të fesë bektashiane.

Shqipja, mbesa e Mehmetit, bija e vëllait e rritur që në moshën 10-vjeçare te Mehmeti, tregon se në rini Maria ishte një grua e bukur, me sy bojë qielli. Vishej me shije dhe ishte mjaft e lirshme në mënyrën e sjelljes dhe në marrëdhëniet e saj. Ajo parapëlqente të pinte ndonjë krikëll birrë e vetme te hotel “Drini”, të shëtiste e të shkonte në kinema së bashku me djemtë e Mehmetit, që e kishin dado në fëmijëri. Sjellje disi liberale këto për mendësitë e ambientit shoqëror të asaj kohe, por dhe që ndoshta ndriçojnë ndopak misteret e origjinës, mënyrës së jetës dhe sjelljes së saj përpara ardhjes në Shqipëri.

Zonja N. N., historiane serioze, ish-drejtuese e Arkivit tonë Kombëtar, thotë e sigurt se ka gjetur në regjistrimet e sistemit TIMS të viteve 1920 kur ajo realisht pat ardhur në Shqipëri, të ketë hyrë në territorin tonë një grua e quajtur Maria Saas, si dhe motivin e ardhjes së saj! Mos t’i ketë ditur vallë e as zbuluar dot Mehmeti ato? Apo atij ia kanë fshehur?

 

Ndryshe nga personeli tjetër që shërbente në familjen Shehu, Maria gëzonte status të veçantë. Ajo ulej në të njëjtën tavolinë me ta, si anëtare e barabartë e familjes. Peripecitë, vuajtjet dhe mangësitë gjatë jetës ishin shndërruar në avantazhe për të, që i gëzonte tashmë në atë familje. Aq sa as paranojat, manipulimet biografike dhe lufta e klasave që zhvilloheshin, të ashpra dhe pa kompromis, jashtë mureve të shtëpisë ku ajo ishte strehuar, nuk e prekën dot. Askush nuk pati kuriozitetin apo guximin që të hetonte ose të pyeste: Kush je vërtet, moj e panjohura Maria? E mbrojti fati nga këto apo dikush tjetër? Kush tjetër vallë mund të ishte përveç vetë Mehmetit?

Mehmeti asokohe kishte ende gjallë edhe nënën e tij, Sulltanen, e cila banonte në një kat më lart, në të njëjtën vilë me Marien. Ajo dilte më rrallë nga dhoma e saj. Në vitet e mia të para në Klinikën Speciale, unë shkoja tek ajo më shpesh, sepse vuante nga hipertensioni dhe obeziteti. Ishte grua mjaft e zgjuar e bujare edhe ajo, por ndihej një lloj xhelozie për hapësirat dhe vëmendjen që i qenë krijuar çekes së ardhur nga një provincë e humbur diku larg mes Çekosllovakisë, Polonisë dhe Austrisë. Por, edhe pse ishte nëna e vërtetë Sulltanja nuk kishte fuqi, as mundësi që t’i kundërvihej, sepse e huaja eksentrike ua kishte fituar mendjen dhe zbutur zemrën të gjithë anëtarëve të familjes, me mënyrën e sjelljes, por dhe me fatin thuajse biblik të papërsëritshëm të saj.

Pyetja që nuk u shtrua dhe enigma që nuk u zbulua kurrë ndonjëherë ishte nëse fati i rrallë dhe i çuditshëm i Maries ishte rastësi providenciale apo për arsye që nuk dihen fatin asaj ia vuri mbi pjatë vetë Mehmeti, falë një vale dhembshurie episodike, spontane e selektive që e kaplonte befasisht ndonjëherë, në formë mëshire dhe dashamirësie bashkë.

Kjo ndoshta si për të balancuar impulset e egërsisë dhe mizorive që ai pat kryer gjatë luftës, të cilat i ishin shndërruar më pas në kohë paqeje në një duf vrastar, thuajse epshor, të cilin ai e shfrynte gjatë fundjavave maleve në gjah duke vrarë me armë rosa dhe derra të egër.

E kam shoqëruar si mjek gjithsej dy herë në gjah. Ajo që më pat impresionuar ishte mënyra se si ai relaksohej dhe krenohej kur arrinte të vriste. Gëzimi i tij ishte i jashtëzakonshëm. Atë çast tjetërsohej, bëhej si adoleshent, plot ngazëllim. Mbase kështu ndodh me të gjithë gjuetarët. Gjahu më i preferuar i tij ishte ai i derrit të egër. Në rezervuarët e posaçëm të gjuetisë, sidomos në Sazan e Karaburun, të cilat ruheshin vetëm për udhëheqësit e lartë, një skuadër e tërë ushtarësh dhe gjahtarë lokalë detyronin me anë të zhurmave derrat që të dilnin nga strofkat e tyre për t’u ekspozuar përpara vendit ku ai i priste që t’i vriste. Mbi derrat derdheshin plumbat me një duf të egër, meqë ndoshta nuk i derdhte dot gjetkë, apo mbase sepse kështu çlirohej nga një zjarrmi pasionante e brendshme e mbajtur ndoshta kushedi sa kohë fshehur brenda vetes. Mehmeti, si Ernest Heminguej, ishte i dashuruar pas armës dhe siç ndodh me pasionet fatale të tillë, nuk ishte çudi pse edhe vdekja u erdhi të dyve prej saj.

Enveri, i cili banonte jo më larg se 100 metra më tutje, nuk dihet nëse e ka pyetur ose përmendur ndonjëherë fqinjën e huaj misterioze. Futja dhe mbajtja e saj brenda shtëpisë së tij në Bllok ishte vallë vendimi i parë i marrë prej vetë Mehmetit pa e pyetur Enverin? Nëse po, a ishte ky edhe tregues i karakterit të tij që nuk vetëpërmbahej përballë shtysave të dallgëve shpirtërore apo të një ndjenje vetësigurie të tepruar, që e pushtonte dhe e bënte atë të shpërfillte me guxim çmendurak dogmat biografike për bashkëjetesën brenda Bllokut e të merrte vendime paradoksale të ndaluara për staturën dhe postet e tij politike, partiake dhe shtetërore?

A ishte vallë një dallgë e tillë e natyrës sfiduese dhe sentimentale edhe ajo së cilës ai nuk i rezistoi dot në vitin 1981, kur i biri i tij, Skënderi, i kërkoi leje për t’u fejuar me një vajzë me biografi politike familjare jo në përputhje me normat, kriteret dhe kufizimet që i impononte partia dhe ideologjia së cilës ai i përkiste dhe madje i udhëhiqte?

Mehmeti në fakt në ballafaqimet me Enverin do ta quante më pas miratimin e asaj fejese të ndaluar si gabim fatal të tij, prej sentimentalizmit prindëror. Por ky justifikim nuk i piu ujë. Përse vallë? Sepse nuk ia njihnin vërtet ato dallgë emocionale marroke të pakontrolluara kalimtare jo keqdashëse, që herë pas here e pushtonin dhe e tjetërsonin? Apo sepse nuk deshën t’ia dinin për to. Madje as nuk deshën, sepse nuk duhej që ta shpëtonin./ Marrë nga libri “Blloku”