VOAL

VOAL

A e rrezikon largimi i Merkel Ballkanin perendimor? Nga Adelheid Feilcke

July 12, 2021

Komentet

“Ka ardhur koha që Rama të largohet!” – Protesta në ditën e 70, profesori i njohur amerikan Steve Hanke: Shqiptarët vijojnë revoltën kundër korrupsionit

Profesori i njohur amerikan, Steve Hanke, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat masive që po zhvillohen në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Hanke, i cili mban titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” në Shqipëri, ka mbështetur hapur reagimin qytetar dhe ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta lidhur me projektet e investimeve luksoze në vend.

“Për të 69-tën ditë, mijëra shqiptarë u mblodhën në Tiranë. Protestuesit akuzuan kryeministrin Rama dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner, për KORRUPSION. Si Kavalier i Urdhrit të Flamurit të Shqipërisë, është koha që Shqipëria ta braktisë projektin e luksit të Kushnerit dhe që kryeministri Rama të marrë derën e daljes,” shkruan Hanke.

Përmes këtij deklarimi, ekonomisti i njohur ndërkombëtarisht thekson se reagimi i qytetarëve në shesh është një sinjal i qartë se projekti turistik luksoz duhet të anulohet menjëherë, ndërsa kërkon dorëheqjen e kreut të ekzekutivit shqiptar. bw

Korridori 8 ka përfunduar… në letër- Nga Lutfi Dervishi

 

Dje u hapën 7.5 kilometrat e parë të aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII. Lajm i shkëlqyer, por  edhe një rast i mirë për të parë kalendarin e punimeve dhe zotimet që u dhanë publikisht.

Punimet nisën, katër vite më parë, në dhjetor 2022 dhe aksi u nda në tetë faza.

Faza e parë u kontraktua më 5 dhjetor 2022. Afati i punimeve ishte 18 muaj. Sipas kontratës, duhej të përfundonte në qershor 2024.

Faza e dytë u kontraktua në qershor 2023, me afat 24 muaj. Duhej të përfundonte në qershor 2025.

Fazat e tretë dhe të katërt u kontraktuan në dhjetor 2023, përsëri me afat 24 muaj. Duhej të përfundonin në dhjetor 2025.

Katër fazat e fundit, V, VI, VII dhe VIII, u kontraktuan në korrik 2024. Të katërta me afat 24 muaj.

Duhej të përfundonin para një jave.

Jemi në gusht 2026. Afati fillestar i të tetë kontratave ka kaluar.

Në letër, pra, Korridori VIII në aksin Elbasan-Qafë Thanë duhej të ishte sot i kryer.
Portalet dhe rrjetet sociale janë mbushur me “lajmin” e prodhuar nga ministria Infrastrukturës se “janë hapur 7.5 kilometrat e parë”.

Sikur edhe punimet të ecnin me ritmin e postimeve në Facebook, tani jo vetëm do të kishim mbërritur në Qafë Thanë, por do të ishim në Detin e Zi.

Nga Florian Binaj te Blendi Salaj, VIP-at që frymëzojnë prej 70 ditësh në protestë! Mesazhi i Dea Vierit

Protestat kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama kanë hyrë në ditën e 70, ndërsa qytetarët vijojnë të mblidhen çdo mbrëmje në bulevard, duke kërkuar largimin e kryeministrit dhe hetimin e tij nga SPAK. Prej 70 ditësh, protestuesit kanë shprehur vendosmërinë për të vijuar aksionin qytetar, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në dorëheqjen e Edi Ramës.

Ndër sloganet që pritet të dëgjohen janë: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Atdheu nuk shitet” dhe “Bashkimi bën fuqinë”. Protestuesit kanë paralajmëruar gjithashtu përshkallëzim të aksionit, përfshirë bllokimin e rrugëve, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë. E mes tyre, si çdo natë tashmë ka edhe të famshëm, të famshmë që kanë zgjedhur të reagojnë, kanë zgjedhur të rreshtohen publikisht krah protestuesve.

FLORIAN BINAJ

Duket thuajse e pamundur, që kur bëhet fjalë për një reagim qytetar, Binaj të mos jetë pjesë aktive. Dhe prej më shumë sesa 20 ditësh, Binaj jo vetëm që ka qenë pjesë e marshimit, por ka marrë edhe mikrofonin, duke folur përpara protestuesve. Paparaci ynë e ka fotografuar ku duket se bashku me bashkëshorten e tij, gjithnjë mes protestuesve të tjerë. Jemi të sigurt, që ashtu si qindra mijëra qytetar të tjerë, edhe për aktorin e moderatorin kjo është një kauzë shumë e rëndësishme, ndaj edhe ai nuk ka sesi të mungojë në shesh. Me një dëshirë për të qenë disi më i tërhequr nga mikrofoni, duket se Flori nuk ka dashur të bëjë protagonistin në këtë protestë.

BLENDI SALAJ

Vështirë të themi nëse Blendi Salaj ka munguar një ditë në këto protesta. Gazetari i mirënjohur ka qenë ndër emrat e parë që e ka mbështetur këtë protestë, madje dhe në studio televizive. E kur kanë kaluar 70 ditë, ai ende nuk ka hequr dorë, por përkundrazi, vijon me të njëjtën këmbngulje. Paparaci ynë ka mundur t’i shkrepë këtë foto, duke sjellë një ndër imazhet e tij të vetme, ku shfaqet në protestë. Kjo për faktin se Blendi nuk është nga ata personazhe që do protagonizmin, të paktën në një protestë të tillë. Ashtu si edhe ai vetë e ka thënë në ditët e para të kësaj proteste, ky është marshimi i njerëzve të lirë. Jemi të sigurt, që edhe në ditët në vijim, figura e tij nuk do të mungojë, duke sjellë një shembull mes VIP-ave.

SONILA MECO DHE REZARTA REIMANN

Gazetarja është padyshim ndër emrat, e cila që në ditët e para të protestës u listua në mbështetje të kësaj kauze. Si një penë e mprehtë, ajo ka reaguar shpeshherë në ekran, por edhe në rrjetet e saj sociale. Megjithatë, angazhimin si qytetare, Sonila e ka vijuar edhe në shesh. Këtë herë nuk ka qenë vetëm. Së bashku me të motrën e saj, Rezarta Reimann ato kanë dalë në protestë. Rezarta është një emër mjaft i njohur edhe në politikën europiane. Motra e gazetares dhe moderatores së njohur shqiptare, Sonila Meço, ka kandiduar si anëtare e Këshillit Bashkiak në Nurnberg të Gjermanisë. Ajo është shqiptarja e parë në Gjermani që ka mbajtur postin e këshilltares bashkiake.

RIZARTA HOXHA

E kemi parë që me politikën nuk është se ka ndonjë marrëdhënie të mirë. Ama, kur vendi ngrihet për një kauzë kaq të rëndësishme, edhe Rizarta Hoxha nuk ka sesi të mos bëhet pjesë. Prej disa kohësh edhe blogerja është parë në shesh, teksa zgjedhë që të protestojë për një vend më të mirë për të jetuar. Si një e re që jeton dhe investon në Shqipëri, ajo nuk ka sesi mos të jetë prezente, dhe ti bashkohet qindra mijërave shqiptarve që çdo ditë janë në shesh. Ndonëse pak ka zgjedhur që të ndajë në llogarinë e saj në Instagram, duket se pasditen tashmë ajo e kalon në shesh, aty ku për më shumë se dy muaj shqiptarët po tregojnë një model të ri qytetërimi.

DEA VIERI

Që në ditët e para të nisjes së protestës, Dea nuk ka munguar në shesh. Herë pas here ajo ka shpërndarë edhe copëza nga kjo protestë në rrjetet sociale, duke spikatur edhe me pankartat që mban. Edhe këtë herë, shoëgirli është parë me një pankartë në duar që lexonte “Metamorfoza nuk është të bëhesh insekt, është kur policia i shërben krimit, jo qytetarëve”. Mesa duket, Dea do të vijojë të jetë pjesë aktive e protestës, derisa kërkesat e tyre të plotësohen. Duhet thënë se kjo nuk është hera e parë që shohim Dea kaq aktive apo me pankarta në duar. Mesa duket edhe blogerja është ndër emrat që prej ditësh nuk heq dorë nga kjo kauzë dhe përpiqet të sjellë dhe pankarta ironizuese herë pas here.

Lubonja për gazetën franceze: Rama si Putin. Krimi i organizuar është integruar në qeveri, BE mbyll sytë

“Revolucioni i flamingove” vazhdon në Shqipëri për të protestuar kundër një projekti imobiliar të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trumpit. Një tjetër protestë është parashikuar në Tiranë këtë të shtunë, më 8 gusht. Sipas historianit shqiptar Fatos Lubonjës, popullsia po shpreh kundërshtimin ndaj regjimit kleptokratik që është në pushtet.

 

 

Nga Martin Eteve, LA CROIX

Që prej fundit të majit, Shqipëria po përjeton një valë të gjerë protestash kundër një projekti turistik luksoz të mbështetur nga Jared Kushner, në lagunën e mbrojtur të Nartës, në jugperëndim të vendit. Përtej vetë projektit, protestuesit tashmë po kundërshtojnë edhe sistemin politik të mishëruar nga kryeministri Edi Rama, në pushtet që prej vitit 2013.

Si duhet lexuar “Revolucioni i flamingove”, që prej dy muajsh po trondit pushtetin shqiptar?

Ajo që i shkaktoi të gjitha këto protesta ishte një video ku shfaqej një protestues duke u dhunuar në Nartë, pikërisht përballë ishullit të Sazanit, ku është parashikuar projekti i Kushnerit. Në video shihet se ai tërhiqet zvarrë në tokë jo nga policia shqiptare, por nga një grup sigurie private, ndërsa policia zyrtare qëndronte në heshtje dhe nuk ndërhynte. Ky simbol, i një shteti bashkëpunëtor me organizata jo transparente, është shumë domethënës.

Nuk bëhet fjalë vetëm për një mobilizim ekologjik. Është një lëvizje që kundërshton një sistem të vendosur në Shqipëri prej 35 vitesh, që nga rënia e komunizmit.

Para vitit 1992, Shqipëria ishte vendi më radikal komunist. Nga pikëpamja ekonomike, ishte një vend tërësisht i kolektivizuar. Por bëhej fjalë për një kolektivizim të imponuar, pa socializëm.

Pas rënies së komunizmit, regjimi që u ndërtua ishte ai i glorifikimit të individualizmit. Shoqëria nuk ekziston, ekzistojnë vetëm individët. Shqipëria erdhi të mishërojë neoliberalizmin në formën e tij më ekstreme. Një neoliberalizëm në të cilin më të fuqishmit nuk vijnë nga meritokracia, por janë njerëz të afërt me pushtetin dhe pjesëtarë të krimit të organizuar.

Që nga vitet ’90, pushteti është sofistikuar disi, ka gjetur metoda më të holla për shfrytëzimin e të tjerëve dhe për mashtrimin, por pa treguar konsideratë për çështjen sociale.

Cilat janë shtyllat mbi të cilat mbështetet pushteti i Edi Ramës?

Edi Rama ka arritur atë që paraardhësit e tij nuk mundën ta bënin: të bashkojë oligarkët rreth vetes. Këta kontrollojnë shumicën e mediave, në një sistem që i ngjan në njëfarë mënyre atij të Putinit.

Nga ana tjetër, ai e ka integruar krimin e organizuar në sistemin e tij. Ka lejuar pastrimin e parave të këtij sektori përmes ndërtimit të pasurive të paluajtshme në bregdet, i cili, sipas tij, është tërësisht nën kontrollin e bandave kriminale. Pikërisht ky sistem është vënë drejtpërdrejt në pikëpyetje nga çështja e Kushnerit.

Por Rama e merr legjitimitetin e tij edhe nga partneritetet me atë që unë e quaj “perandoria perëndimore”, Shtetet e Bashkuara dhe Europa.

Kjo nuk është diçka e re: fati i Shqipërisë është përcaktuar historikisht nga vartësia ndaj perandorive. Ishte Perandoria Osmane deri në shekullin XIX, Italia në pjesën e parë të shekullit XX, dhe më pas Bashkimi Sovjetik e Kina gjatë periudhës komuniste.

Rama është ai që ka ditur të përfitojë më shumë nga marrëdhëniet e tij me liderët perëndimorë. Duke u shfaqur përkrah Macronit, Hollandës apo Melonit, ai ka fituar një kapital të madh politik.

Kjo sot materializohet në hapjen e vendit ndaj investimeve perëndimore dhe në praninë ushtarake. Në këmbim, duhej të ndërtohej një shtet i së drejtës.

Në letër, jemi në rregull. Kemi një lloj pluralizmi politik, kemi media, kemi pak a shumë një treg të lirë dhe një shoqëri civile deri diku funksionale. Por realiteti është ndryshe.

Si shpjegohet mbështetja e ripërtërirë e Perëndimit për Edi Ramën, pavarësisht këtyre mangësive?

Perëndimi nuk ka pasur si objektiv ndërtimin e një shteti të së drejtës në Shqipëri. Ai e ka dashur Shqipërinë si një shtet vartës, për arsyet e veta gjeopolitike.

Dhe Rama e ka kuptuar shumë mirë këtë. Ai është ofruar për të pritur kampet e emigrantëve të kërkuara nga Italia, ka inauguruar një bazë të NATO-s dhe ka pritur kundërshtarë iranianë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.

Bashkimi Europian toleron gjëra që nuk do t’i toleronte diku tjetër.

Ajo që ka bërë Rama në Shqipëri është deri diku e ngjashme me atë që ka bërë Orbáni në Hungari, nëse lëmë mënjanë qëndrimet kundër emigracionit.

Dhe ndërsa presidenti hungarez është sanksionuar disa herë, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është vënë në pikëpyetje.

Sistemi Rama është pasqyrim i një tendence që po shohim të shfaqet edhe në Perëndim: personalizimi i politikës, mënyra menaxheriale e qeverisjes dhe vënia në pikëpyetje e demokracisë.

Situata në Shqipëri është rezultat i sëmundjes së modelit perëndimor, e cila prek një vend me një sistem imunitar demokratik shumë të cenueshëm.

gsh

Romani britanik që parashikoi “Revolucionin e Flamingove” në Shqipëri

Dy vjet përpara se protestat për Lagunën e Nartës të pushtonin Shqipërinë, shkrimtari britanik Matt Haig botoi një roman që përshkruan një konflikt thuajse identik: një komunitet që ngrihet kundër një projekti luksoz që kërcënon natyrën. A është thjesht një rastësi letrare, apo një histori që pasqyron një realitet gjithnjë e më të zakonshëm?

Si një lexuese e rregullt e veprës së shkrimtarit Matt Haig – me “Biblioteka e Mesnatës” që mbetet libri im i preferuar – ishte krejt e natyrshme të lexoja edhe romanin e tij më të ri, The Life Impossible (Jetë e pamundur).

Botuar në vitin 2024, romani rrëfen historinë e Grace Winters, një mësuese matematike në pension, jeta e së cilës ndryshon papritur pasi trashëgon një shtëpi në Ibiza nga një ish-kolege.

Në përpjekje për të zbuluar misterin e vdekjes së saj të supozuar, Grace përfshihet në një rrëfim ku ndërthuren misteri, fantazia dhe lufta për mbrojtjen e natyrës. Si në shumë prej veprave të Haig, edhe këtu elementi fantastik luan një rol qendror.

Grace zbulon se ish-pronarja e shtëpisë kishte aftësi të mbinatyrshme dhe, pas kontaktit me një forcë misterioze të quajtur “La Presencia”, fillon të përjetojë të njëjtat fuqi.

Megjithatë përtej fantazisë, romani trajton një konflikt shumë real: një projekt luksoz ndërtimi që kërcënon ekosistemin e Es Vedrà-s në Ibiza. Aktivistët përballen me interesa të mëdha ekonomike dhe me politikanë që kanë braktisur premtimet e tyre për mbrojtjen e mjedisit.

Në këtë pikë, ngjashmëritë me Shqipërinë bëhen të pamohueshme. Një investim i madh që rrezikon një zonë të mbrojtur. Leje të posaçme të dhëna nga autoritetet. Akuza për mungesë transparence. Dhe mbi të gjitha, një komunitet që refuzon të heshtë.

“Revolucioni i Flamingove”

Prej muajsh, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Shqipërisë për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti luksoz pranë Lagunës së Nartës, një nga habitatet më të rëndësishme të flamingove në Mesdhe.

Projekti, i lidhur me investitorë ndërkombëtarë, mes tyre edhe Jared Kushner, ka marrë statusin e “investitorit strategjik”, pavarësisht kundërshtimeve të ambientalistëve dhe ekspertëve.

Që nga maji, protestat janë shndërruar nga një lëvizje për mbrojtjen e mjedisit në një mobilizim më të gjerë qytetar. Pankarta me mesazhe si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Larg duart nga Narta” janë bërë simbol i rezistencës.

Për shumë protestues, çështja nuk lidhet më vetëm me mbrojtjen e një lagune, por edhe me transparencën, mënyrën e vendimmarrjes dhe kufijtë që duhet të ketë zhvillimi ekonomik.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka argumentuar se projekti do të sjellë investime dhe vende pune, kundërshtarët vazhdojnë të këmbëngulin se përfitimet ekonomike nuk mund të justifikojnë dëmtimin e një ekosistemi të pazëvendësueshëm.

Kur letërsia i afrohet realitetit

Kur e lexova “Jetë e Pamundur” në fillim të këtij viti, fundi i romanit më dukej tepër fantastik. Në kulmin e historisë, natyra vetë ngrihet kundër shkatërrimit: kafshë të të gjitha llojeve bashkohen për të ndalur projektin që kërcënon ishullin.

Në atë moment, skena më dukej më shumë simbolike sesa e besueshme. Por ndoshta pikërisht ky ishte mesazhi që Haig dëshironte të përcillte. Përballë interesave të mëdha ekonomike, fuqia e një komuniteti të bashkuar mund të jetë më e madhe sesa duket.

Në Shqipëri nuk ka magji dhe as forca të mbinatyrshme. Ka qytetarë që organizohen, protestojnë dhe kërkojnë të mbrojnë atë që e konsiderojnë pasuri të përbashkët. Ndoshta Matt Haig nuk parashikoi “Revolucionin e Flamingove”.

Por përmes letërsisë, ai arriti të tregojë një histori që po përsëritet në vende të ndryshme të botës: përplasjen mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës. Dhe në këtë kuptim, romani i tij tingëllon sot më aktual se kurrë./ “London Daily”

gsh

FOTOT- Protesta e 69 kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes! Mesazhi në Bulevard për Prokurorinë e Posaçme: SPAK, çfarë pret?

Në ditën e 69-të të protestës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, qytetarët kanë përcjellë një tjetër mesazh nga sheshi, duke shkruar një mesazh me një thirrje drejtuar Prokurorisë së Posaçme.

Mesazhi lidhet me kërkesat e protestuesve për veprime hetimore ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, ndërsa tubimi vijon prej javësh me akuza për korrupsion dhe keqqeverisje.

  • foto galeri

 

  • foto galeri

 

  • foto galeri

Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu që SPAK të ndërhyjë ndaj zyrtarëve që janë nën hetim për çështje të ndryshme, duke përfshirë edhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila po hetohet për akuza të lidhura me korrupsionin. bw

LDK-ja ka një mundësi historike: të propozojë për President dy ose tre figura me integritet- Nga Sadri Ramabaja

LDK-ja synon Presidencën, duke pretenduar që, në momente krizash politike dhe kushtetuese, ta shndërrojë atë në një qendër të dytë të legjitimitetit shtetëror. Një qasje e tillë rrezikon ta fusë Republikën në një cikël të ri krizash institucionale.
Fryma e Kushtetutës kërkon një president konsensual, që gëzon besimin e gjerë politik dhe qytetar.
LDK-ja ka një mundësi historike që, duke propozuar dy ose tre figura me integritet, kredibilitet dhe përgatitje profesionale – qoftë nga bota akademike apo ajo diplomatike – të hapë rrugën për tejkalimin e kësaj krize politike.
Në të kundërt, mbajtja e zgjedhjeve për herë të katërt do të bëhej pothuajse e pashmangshme, me pasoja politike që mund të rezultojnë të kushtueshme sidomos për vetë LDK-në.
Urtësia popullore e përmbledh këtë situatë me pak fjalë: “Zgjidh e merr.”

BIRN: Dështimi i paralajmëruar i aeroportit të Vlorës rrezikon qindra milionë euro në arbitrazh

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi të mërkurën se ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke i hapur rrugë një përballjeje në arbitrazh ndërkombëtar me kompaninë private.

Ky vendim vjen pas një konflikti të ashpër gjyqësor dhe bllokimesh fizike në kantier mes dy ortakëve, “Mabco Construction” dhe “2A Group”, i cili nisi në vjeshtën e vitit 2025 për çështjen e ndarjes së aksioneve mes tyre. Pas muajsh përplasjesh, përfshi sherre masive mes punëtorëve të dy kompanive për aksesin në kantier dhe një sërë vendimesh gjyqësore, situata mbeti e bllokuar edhe pasi Gjykata e Lartë, në maj të vitit 2026, rrëzoi kërkesat e “2A Group” për marrjen e masave të sigurimit të padisë, duke u pasuar më vonë nga të tjera vendime bllokuese në shkallën e parë.

Por përtej një konflikti të thjeshtë mes ortakësh, dështimi i këtij koncesioni përfaqëson sipas ekspertëve një sindromë të vërtetë të Partneriteteve Publik-Privat, PPP, në Shqipëri, ku rreziqet i ngarkohen shtetit dhe përfitimet privatit.

Projekti i aeroportit të Vlorës ka qenë thellësisht kontrovers që në gjenezën e tij, i nënshkruar në prag zgjedhjesh, i zhvilluar kundër rekomandimeve të ekspertëve të financave, dhe i ngecur tashmë në një ngërç që rrezikon t’u lërë taksapaguesve shqiptarë një faturë kolosale detyrimesh.

“Nisja e procedurës për zgjidhjen e kontratës së Aeroportit të Vlorës nuk është dështim i izoluar i konsorciumit Mabco–2A Group, por prova e radhës e problematikës strukturore të PPP-ve në infrastrukturën shqiptare,” thekson Zef Preçi, drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Përballë kësaj situate, qeveria nuk ka dhënë sqarime publike. Një zëdhënës i Ministrisë së Infrastrukturës e konfirmoi shkurtimisht vendimin.

“Mundem vetëm t’ju konfirmoj nisjen e procedurës për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për VIA. Nuk mund të bëjmë asnjë koment tjetër”, tha ai në një mesazh në WhatsApp.

Nga ana tjetër, biznesmeni Behgjet Pacolli e akuzoi publikisht qeverinë se po synonte t’i hiqte investitorit “të drejtat që burojnë nga kontrata e partneritetit publik-privat më e madhe e realizuar ndonjëherë në Shqipëri”. Valon Ademi, presidenti i 2A Group, kompanisë tjetër të përfshirë në punime dhe konflikt, nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.

Një kontratë e favorizuar

Në kantierin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, puna vazhdon normalisht më 26 janar 2025. Foto: Xhemali Moku.
Projekti i aeroportit të Vlorës lindi si një premtim i hershëm elektoral i kryeministrit Edi Rama, i cili u shty përpara nga qeveria pavarësisht vlerësimeve financiare për fizibilitet të ulët dhe protestave nga organizatat mjedisore.

Projekti u ndërtua në afërsi të lagunës së Nartës, një zonë e mbrojtur natyrore dhe shtëpi e dhjetëra llojeve të rrezikuara të shpendëve. Zgjedhja e kësaj vendndodhjeje shkaktoi kundërshtime të ashpra publike, si dhe reagime zyrtare nga Komisioni Europian dhe Konventa e Bernës, të cilat paralajmëruan vazhdimisht për kostot e larta dhe të pakthyeshme mjedisore.

Kontrata u firmos në prill 2021 me konsorciumin fitues të përbërë nga kompania “Mabco Construction SA” e biznesmenit Behgjet Pacolli, kompania turke “YDA Group” dhe “2A Group” e Valon Ademit, ku shteti i ofroi koncesionarit një garanci prej 138 milionë eurosh të ardhurash nga buxheti për 10 vitet e para. Por në shtator të vitit 2022, kompania turke “YDA Group” u largua nga projekti në mënyrë të dyshimtë, duke i shitur aksionet e saj për vetëm 4,450 euro tek kompania e Pacollit.

Sipas letërkëmbimeve zyrtare mes institucioneve, të bëra publike në një shkrim investigativ të publikuar nga BIRN më 27 janar 2026, Ministria e Infrastrukturës mori përsipër risqe të paprecedenta duke garantuar pagesën e kredive bankare të koncesionarit në rast të prishjes së parakohshme të kontratës. Ky lëshim u bë brenda një afati shqyrtimi 3-ditor para nënshkrimit të kontratës, megjithëse Drejtoria e Borxhit dhe Ministria e Financave kërkuan ndryshimin e klauzolave me argumentin se ky angazhim “nuk gëzonte mbështetje ligjore”.

Sipas Zef Preçit, rreziku që rasti të përfundojë në arbitrazh me penalitete të rënda për buxhetin bëhet alarmant pikërisht nga këto klauzola, pasi kontrata i lë shtetit detyrimin për të shlyer huanë prej 56 milionë eurosh ndaj BKT-së në të tria skenarët e ndërprerjes. “Rreziku që rasti të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar me penalitete të rënda është i lartë,” theksoi Preçi.

Kostot publike, siç bën të ditur Preçi, mund të rriten lehtësisht “në qindra milionë euro”, duke marrë parasysh se ka gjasa që asetet e aeroportit janë hipotekuar si kolateral edhe për një hua 100 milionë dollarëshe të “Mabco”-s ndaj “Delphos Securities”, çka fut një kreditor të tretë ndërkombëtar në këtë ekuacion. Sigurimi i kontratës prej 5% të vlerës, sipas Preçit, nuk ka funksionuar si mburojë efektive pasi ekzekutimi i tij kërkon vendime gjyqësore dhe nuk është automatik.

Beteja e gjatë gjyqësore

Tufa flamingosh në lagunën e Nartës, teksa në sfond vijon punimet Aeroporti i Vlorës | Foto Joni Vorpsi PPNEA
Nisja e procedurave për prishjen e kontratës vjen ndërsa kompania koncesionare ndodhet prej muajsh e paralizuar nga një konflikt i ashpër gjyqësor mes aksionerit kryesor “Mabco Construction” dhe ortakut minoritar “2A Group”, të cilët përpos përplasjes në gjykata civile, kanë shkëmbyer padi penale për manipulim, mashtrim dhe tjetërsim kuotash.

Vetëm në gjyqe për sigurim padie, përgjatë një periudhe rreth 9-mujore janë marrë të paktën 8 vendime të ndryshme nga të tria shkallët e sistemit të drejtësisë.

Ndonëse Gjykata e Lartë rrëzoi në maj 2026 kërkesat e “2A Group” për marrjen e masës së sigurimit të padisë, situata mori një tjetër kthesë në fillim të verës. Sipas ekstraktit historik të VIA, në korrik 2026 Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vendosi të ndalojë çdo organ drejtues të shoqërisë, përfshirë Asamblenë dhe Administratorin Vegim Hoxha, për të aderuar apo garantuar Marrëveshjen e Financimit të lidhur mes “Mabco Construction SA” dhe “Delphos Securities S.A.R.L”.

Në media më herët u publikua se Ministria e Infrastrukturës u pati dhënë një ultimatum palëve të zgjidhnin mosmarrëveshjen dhe se vendimi për prishjen e kontratës vjen pasi nuk ka pasur dakordësi.

Vendimi i qeverisë për zgjidhjen e kontratës ka sjellë reagimin e menjëhershëm të biznesmenit Behgjet Pacolli. Përmes një deklarate publike, Pacolli paralajmëroi se arbitrazhi tashmë është i pashmangshëm, pasi hapi i ministrisë “synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata”. Ai akuzoi drejtpërdrejt institucionet shtetërore se kanë lejuar degradimin e shtetit të së drejtës duke mos ndërhyrë ndaj “tentativave për tjetërsimin e kuotave të investitorit”, “përjashtimit të paligjshëm të MABCO-s nga administrimi i investimit” dhe “bllokimit fizik të aksesit në kantier nga grupe që vepronin jashtë ligjit”.

Sipas Pacollit, kërkesat e “MABCO”-s që prej gushtit 2025 për një auditim ndërkombëtar teknik dhe financiar të investimit janë injoruar, ashtu si edhe kallëzimet penale të paraqitura prej tyre ndaj veprimeve të kundërligjshme. “Unë nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë pasojat e veprimeve ose mosveprimeve të disa zyrtarëve,” deklaroi ai, duke theksuar se nuk ka alternativë tjetër veç mbrojtjes përmes së drejtës ndërkombëtare.

Pacolli fajëson ortakun e tij dhe qeverinë për mospërmbushjen e kontratës dhe vendosjen në operim të aeroportit brenda afateve, duke akuzuar ministrisë se në nisjen e procedurave për prishjen e marrëveshjes citon fakte të rreme.

Ekspertët theksojnë se përballë kësaj situate, monitorimi institucional ka qenë pasiv në mënyrë shqetësuese. Megjithëse konflikti u shfaq në vjeshtën e vitit 2025, Ministria e Infrastrukturës priti deri në maj 2026 për të dhënë një ultimatum 30-ditor, ndërkohë që klauzolat e monitorimit dhe penaliteteve duhej të ishin aktivizuar shumë më herët.

Në kushtet e tanishme, Zef Preçi vlerëson se “opsioni më racional nuk është rifillimi me çdo kusht, por rivlerësimi i plotë i arsyeshmërisë ekonomike të projektit, qëndrueshmëria financiare e të cilit është vënë në dyshim që në fillim”.

Preçi ofron si zgjidhje e mundshme një tender i ri ndërkombëtar transparent për një operator të kualifikuar aeroportual, me kushte të rinegociuara pa garanci shtetërore, ose ripërdorimi i infrastrukturës për aviacion rajonal e logjistikë, duke shmangur kështu kostot e rënda mjedisore në lagunën e Nartës./ BIRN

Fatos Tarifa: Maskarallëk politik!

Nga Fatos Tarifa

E keni vënë re sa shumë flet Kryeministri Rama kohët e fundit?

Duket sikur përpiqet të krijojë përshtypjen se, më në fund, ka kuptuar çfarë nuk shkon në këtë vend, çfarë e pengon demokracinë, se ka reflektuar pas nisjes së protestave qytetare dhe se ka ndryshuar mënyrën e qeverisjes e të kërkimit të llogarisë. Madje, herë pas here, pranon edhe ndonjë prej kërkesave të protestuesve, por vetëm ato që i leverdisin, ndërsa injoron thelbin e pakënaqësisë së tyre.

Problemi është se kryeministri u flet veshëve të gabuar. Nuk u drejtohet atyre që kërkojnë llogari prej tij, ndërkohë që një pjesë e madhe e qytetarëve, edhe nëse nuk kanë dalë në protestë, as e besojnë më, as duan ta dëgjojnë. Arsyeja është e thjeshtë: nuk e duan më në krye të qeverisë. Ata kërkojnë largimin e tij.

Po çfarë u thotë kryeministri? Edhe pak ditë më parë ai përsëriti të njëjtën tezë, një ide që dëshmon një injorancë të frikshme të vetë demokracisë: “Populli”, tha kryeministri, “flet kur vijnë zgjedhjet”.

Ky nuk është thjesht një interpretim i gabuar i demokracisë, por një element thelbësor i narrativës së tij politike në një kohë kur gjithnjë e më shumë qytetarë kërkojnë dorëheqjen e tij.

Në një demokraci funksionale, populli nuk flet vetëm një ditë në katër vjet. Populli flet çdo ditë. Demokracia nuk është një ngjarje që ndodh vetëm ditën e zgjedhjeve; ajo është një proces i pandërprerë. Demokracia është ajo që ndodh në periudhën mes dy zgjedhjeve—në lirinë e fjalës, në protestën qytetare, në kritikën publike, në kërkimin e llogarisë dhe në kontrollin e përditshëm të pushtetit.

T’u thuash qytetarëve shqiptarë se duhet të flasin vetëm kur të vijnë zgjedhjet do të thotë t’u kërkosh të heshtin katër vjet me radhë; të mos protestojnë, të mos kritikojnë, të mos kërkojnë llogari nga ata për të cilët kanë votuar, t’i lënë qeverinë dhe kreun e saj të bëjnë çfarë të duan, të shkelin premtimet elektorale dhe standardet e qeverisjes demokratike, ndërsa në Kuvend të vazhdojnë të vegjetojnë të njëjtët deputetë të paaftë, mes tyre jo pak sharlatanë, të përzgjedhur jo nga populli, por nga kryetarët e partive për interesat e tyre.

T’i kêrkosh popullit të heshtë dhe të presë të flasë vetëm kur të vijnë zgjedhjet nuk është makiavelizëm politik. Është maskarallëk politik. Maskarallëk politik në kuptimin më të plotë të fjalës.

Përmes këtij maskarallëku, kryeministri shpreh jo vetëm përçmimin për qytetarët e vendit të vet, por edhe dëshirën për të qëndruar në pushtet me çdo kusht, edhe kur nuk gëzon më besimin e tyre. Ai shpreh, gjithashtu, frikën se zgjedhjet e parakohshme—po aq legjitime dhe demokratike sa zgjedhjet periodike—mund ta largojnë nga pushteti.

Në një demokraci, pushteti nuk i përket qeverisë. Ai i përket popullit. Populli ua delegon atë, përmes zgjedhjeve, Kuvendit dhe Qeverisë, që të drejtojnë në emër të tij dhe në interes të tij. Por delegimi nuk është një çek i bardhë. Nëse Kuvendi, Qeveria ose kryeministri i zhgënjejnë qytetarët, këta kanë të drejtën të kërkojnë largimin e tyre në çdo kohë, jo vetëm ditën e zgjedhjeve.

Pikërisht për këtë arsye zgjedhjet e parakohshme janë një instrument krejtësisht legjitim i demokracisë. Ato nuk janë një devijim nga rregullat demokratike, por pjesë e vetë këtyre rregullave.

Mjafton të shohim Britaninë e Madhe. Gjatë dhjetë viteve të fundit, pesë kryeministra britanikë janë larguar nga detyra përpara përfundimit të mandatit: David Cameron, Theresa May, Boris Johnson, Liz Truss, pas vetëm 49 ditësh në detyrë, dhe, së fundmi, Keir Starmer, i cili njoftoi dorëheqjen dhe u zëvendësua nga një lider i ri i Partisë Laburiste.

Rama nuk i njeh demokracinë dhe rregullat e saj më mirë se ata. Përkundrazi, gjatë njëzet viteve në krye të Partisë Socialiste dhe trembëdhjetë viteve në krye të qeverisë, ai ka dëshmuar se ose nuk i kupton, ose i shpërfill rregullat themelore të garës demokratike.

Shqiptarët nuk duan të heshtin deri në zgjedhjet e vitit 2029. Ato janë shumë larg me një Kuvend si ky, me një qeveri si kjo dhe me një kryeministër që u kërkon qytetarëve të mbyllin gojën e të presin edhe katër vjet për të folur. Demokracia nuk u kërkon qytetarëve të heshtin. Përkundrazi, u garanton të drejtën të flasin, të protestojnë dhe të kërkojnë llogari çdo ditë.

Unë flas dhe kërkoj sot të njëjtën gjë.

SA I THJESHTË NË DUKJE, AQ DHE I LARTË DHE NJERËZOR ISHTE- Homazh nga FRAN GJOKA

 

Njerëzit e mirë po ikin në heshtje nga kjo botë, duke lënë pas kujtime, vlerësime për emrin dhe vepren shumëvjeçare që ato kryen. Punuan, sakrifikuan, por ndonëse në vlera materiale fituan pak, ata fituan respektin e njerëzve për ndihmesën që dhanë, për veprat e tyre të mira, për dinjitetin dhe dashurinë që përcollën në jetën e tyre familjare, por dhe të bashkëkombësave te tyre. Kushdo që largohet nga kjo botë, mbetet në adresë të tij apo saj, ajo mirënjohje, kujtimi dhe emri i mirë ndër breza. Aq më tepër nëse sektorin e arsimit, në punën e bukur të mësuesisë, nga ku nxjerr breza të tërë intelektualësh të fushave të ndryshme. Pas dekadave të shërbesës së tyre fisnike në mësuesi, jeta ndërpritet, e mpleks keqardhjen, dhimbjen dhe kujtimin e mirë në shërbesën ndaj profesionit. Breza të tërë mësuesish punuan e sakrifikuan, duke vendosur nga një tullë në ngrehinën e madhe të arsimit tonë kombëtar.

E në kontekstin e të gjithave sa shkruajtëm më lart, bëjmë fjalë për mësuesin e nderuar e të paharruar, Tom Beqiri, i cili ndërroi jetë në moshën 78- vjeçare nga një sëmundje e rëndë. Mësuesi i nderuar, Tom Beqiri u lind në fshatin Simon. Shkollën fillore dhe 7-vjeçare e kreu në fshatin e tij të lindjes.

Pasi mbaron mësimet e para në vendlindje, falë dhe përkujdesjes së prindërve, dërgohet për të vazhduar shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” Shkodër. Sa kohë përfundoi shkollimin për mësuesi dërgohet mësues në zonën e Kaçinarit ku dha mësim në fshtrat Simon, Kushnen, Bukmirë dhe Shëngjergj.

Përgjatë gjithë kohës që Toma shërbeu në këto fshatra dhe nuk ishte pak, por mbi 40 vjet, brezat e mësuesve, që punuan me të, panë të personifikuar modelin dhe figurën e një mësuesi dhe edukatori të vërtetë e të palodhur në shërbim të dijes dhe komunitetit.

Ai karakterizohej nga cilësi të spitakatura individuale dhe profesionalizëm të lartë,  rrezatonte kulturë dhe edukatë qytetare, duke u bërë frymëzim për breza të rinj të mësuesisë.

Ishte kënaqësi dhe privilegj jo vetëm ta takoje, por thjeshtë të bisedoje me të, se çdo fjalë e tij kishte peshë, të impononte respekt dhe vlera njerëzore, sidomos kur fliste me pasion dhe dëshirë për profesionin e nderuar të mësuesit, për vështirësitë që hasen në punën me nxënësit. Ai, për më shumë se 40 vjet, qëndroi në krye të mësuesve të klasave të para dhe të pesta, pasionant që mësimdhënien e konsideronte të shenjtë dhe nuk dinte kurrë ç’është lodhja.

E gjithë kjo punë paraprihej me përgaditjen serioze. Me diskutime shkencore e metodike që bënte me kolegët e tij. Të gjitha këto nxisnin mendimin e pavarur aktiv e krijues të tyre dhe që rrisnin përqëndrimin e vëmendjes në mësim. Dhe pas çdo ore vetëvleresimi dhe verifikimi meditonte për të bërë ndryshimet e domosdoshme me qëllim që mësimi për ditën e nesërme të ishte më i qartë për 3 nivelet e nxënësve.

Toma ishte mjeshtër i rrrallë i fjalës, komunikues efektiv dhe metodist i shkëlqyer. Ka punuar pa u lodhur në të gjithë sistemin parauniversitar dhe ka dhënë shembullin personal me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj detyrave, qofshin ato të mëdha apo të vogla. Për hir të vërtetës, duhet të theksojmë se mësues të tillë që shkrijnë jetën e tyre në mësuesi ka përsëri në Shqipëri, por mësues Toma i ndjerë do të mbetet shembulli më pozitiv dhe i kujtuar në disa kolektiva pedagogjike ku ai punoi dhe sakrifikoi shumë nga vetja, duke ju dhënë dije e kulturë brezave.

Ky dritëdhënës në dije e arsim, kishte një prejardhje frytdhënëse në familjen e tij, ku rritja dhe edukimi ishin primare, ndershmëria dhe tradita shkëlqenin, ishin arsimdashës, frymë të cilën e ndërtoi dhe fuqizoi në familjen e re që formoi, me të cilën lidhen të ardhmen e tyre. I martuar me mësuesen e nderuar dhe të respektuar, Vitoren, njohëse e shkëlqyer në mësimdhënien e mësimnxënien e klasave të para dhe të pesta e arsimit 9 vjeçar, ku për 40 vjet, edhe pse në pension, brezat e nxënësve ruajnë kujtimet më të bukura dhe ndjeshmërinë për mësuesen e tyre. Jeta bashkëshortore me zonjën u konsolidua duke u bërë kështu një çift model dhe dinjitoz në arsim e me plot vlera dhe virtyte të larta njerëzore. Në këto vite të tranzicionit, Toma bashkë me bashkëshorten e tij investuan shumë nga vetja, duke rritur e shkolluar tre djem të mrekullueshëm Albani, Alvito dhe Aldo,  dhe sot janë koshient për sakrificat e babait, duke u mësuar denjësisht atyre udhën e dijes dhe të prosperitetit.

Në foto: I ndjeri Mësues Tom Beqiri

 

Kudo ku punoi në fshtatrat e rrethit Mirditë, për më shumë se 40 vjet dhe asnjëherë nuk përfitoi nga konjukturat politike të kohës, siç ndodhte rëndomë me të tjerët mësues, ndaj me të drejtë do thoja se Tom Beqiri do të mbetet një ndër mësuesit më me emër jo vetëm për Mirditën, por dhe në shkallë kombëtare.

E tillë ishte fryma që Toma jetësonte, e tillë ishe jeta që ai thurte dhe aq shumë e donte, me pagabueshmërinë, që ai nisi në mësuesi 40 vjet më parë në të gjitha etapat e tij, sepse karakterizohej nga një intuitë për t’u orientuar drejt kur “duhej” “të përballohej” jo rrallë, me kapriçot e jetës, të cilat me urtësi, mençuri e pjekuri i kapërcente denjësisht dhe me vendosmëri.

Si ish nxënës i pedagogjikes që ishim në shkollën “Shejnaze Juka” Shkoder, e kujtoi që në rininë e hershme të tij, që veçohej si një djalë fjalëpak, pa zhurmë dhe me energji të pashterrshme, dashamirës, që nuk ju dëgjua zëri kurrë për keq, gojëmbël, po kurajoz që mbronte me dinjitet mendimet e tij.

Nuk ishim jo më shumë se 17 vjeç kur dha një orë mësimi dhe mori në dorë klasën gjatë praktikës pedagogjike. Ishte i qetë, autoritar dhe i butë, duke ruajtur me fanatizëm të gjitha etapat e orës së mësimit, thua se kishte mbi supe dhjetra vite përvojë.

Me mbarimin e shkollës, fillon dhe punën në mësuesi, ku u poq shumë shpejt, në sajë të punës vetëmohuese, të përkushtimit maksimal ndaj detyrës dhe shumë shpejt i dha profesionit dashurinë dhe zemrën deri në frymëmarrjen e tij të fundit.

Një burrë që nuk e nisi dhe as e përfundoi karrierën e tij me bujë e reklama, ua la të tjerëve të gjykonin për shërbimin korrekt që u bënte nxënësve, por që gjykoi me profesonalizëm, sinqeritet, dashamirësi, punën e mirë që bënin kolegët e tij.

Në jetën shoqërore dhe publike ishte dhe mbetet njeri për t’u admiruar, një qytetar dhe atdhetar me zemër të madhe. Më ka rastisur shpesh të takohem e të bisedoj me të, kujtoi kur biseda binte te tema e ndryshimeve në tranzicionin e tejzgjatur. Ai gjithnjë ishte i hapur, me vështrimin e ëmbël e gjithë respekt, bashkëbisedonte me pasion, logjikë e argument për vlera alternative, për ide e mendime të dobishme, për demokracinë ende të brishtë në Shqipëri.

Kuptohet që është e vështirë që brenda një shkrimi homazh të sjellësh në mënyrë të plotë para lexuesve figurën e gjithanshme të një mësuesi të nderuar të arsimit mirditor.

Tom Beqiri, i ndjerë, tani nuk jeton…, e kujtojnë me lotë mallëngjimi tre djemtë e tij, dy vëllezërit, nipat dhe mbesat, ish nxënësit, kolegët dhe mbarë komuniteti prindëror.

Emri dhe kontributi tij në mësuesi do të mbetet përjetësisht në memorien e brezave të sotëm, si një ndër emrat më të nderuar e të respektuar të arsimit mirditor.

Përjetësisht mirënjoheje misionarit të arsimit!

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

 

Tuneli më i madh nënujor në botë Gjermania lidhet me Danimarkën

Në qendër të Detit Baltik po ndërtohet me ritme të avancuara ai që do të jetë tuneli i zhytur më i gjatë në botë. Një vepër gjigante infrastrukturore, që do të transformojë lidhjet mes Europës Qendrore dhe Gadishullit Skandinav, duke reduktuar varësinë nga tragetet që aktualisht lidhin brigjet gjermane dhe daneze të ngushticës së Fehmarnit.

Ngushtica Fehmarn ndodhet në Detin Baltik, midis ishullit danez Lolland (në Veri) dhe ishullit gjerman Fehmarn (në Jug), ajo ndan Danimarkën nga Gjermania dhe është një nga rrugët kryesore detare dhe tregtare mes Skandinavisë dhe Europës Qendrore.

Tuneli i ri “Fehmarn Belt Fixed Link”, i cili ka filluar të ndërtohet, do të kalojë nën këtë ngushticë duke lidhur drejtpërdrejt qytetin danez Rodbyhavn me lokalitetin gjerman Puttgarden.

Një projekt me vlerë 6.2 miliardë paund, që pritet të përfundojë në vitin 2029, tuneli do të përfshijë një autostradë me katër korsi për automjete, si dhe linja hekurudhore.

Projekti parashikon një tunel me përdorim të dyfishtë rrugor dhe hekurudhor, i cili do të përgjysmojë kohën e udhëtimit mes dy vendeve dhe do të ndryshojë rrënjësisht transportin e mallrave përgjatë një prej korridoreve tregtare më të ngarkuara të kontinentit.

Pas përurimit, ai do të jetë zyrtarisht tuneli i zhytur më i gjatë i ndërtuar deri tani për trafikun rrugor dhe hekurudhor duke thyer të gjitha rekordet e mëparshme dhe duke hyrë në Librin e rekordeve Guinness.

Mbreti i Danimarkës ka inauguruar simbolikisht segmentin e parë të përfunduar, një seksion prej 217 metrash, i cili tashmë është vendosur në fundin e detit nga ana daneze.

Ky është një moment historik për një projekt që ka kërkuar shumë vite përgatitje dhe që po ecën drejt përfundimit të planifikuar në vitin 2029.

Kostoja e projektit është rritur me kalimin e kohës, nga 4.6 miliardë paund të parashikuara fillimisht në 6.2 miliardë paund, pas finalizimit të marrëveshjes dypalëshe mes Danimarkës dhe Gjermanisë.

Financimi mbulohet nga Danimarka, e cila synon të rikuperojë investimin përmes tarifave që do të paguajnë përdoruesit e tunelit në dekadat pas hapjes së tij.

Si do të ndërtohet tuneli

Struktura, tuneli i plotë, përbëhet nga 89 elemente të parapërgatitura prej betoni të armuar secili me gjatësi 217 metra dhe peshë rreth 73 mijë tonë.

Çdo segment ndërtohet në tokë, transportohet me anije dhe vendoset në një kanal të hapur në fundin e detit, rreth 16 metra nën sipërfaqe, ku lidhet me segmentet e tjera përmes nyjave të papërshkueshme nga uji.

Tuneli do të ketë gjerësi prej 60 metrash dhe do të përfshijë, katër korsi rrugore nga dy në secilin drejtim dhe dy linja hekurudhore të ndara.

Automjetet do të mund të lëvizin me shpejtësi deri në 110 km/orë ndërsa trenat, deri në 200 km/orë. Falë këtyre parametrave, kalimi i ngushticës do të zgjasë vetëm 10 minuta me makinë dhe 7 minuta me tren, krahasuar me 45 minutat që nevojiten sot me tragetet e kompanisë Scandlines.

Ky ndryshim pritet të ketë ndikim të madh për udhëtarët, turistët dhe veçanërisht për sektorin logjistik dhe mjedisor.

Materiali i nxjerrë nga fundi i detit gjatë gërmimeve nuk do të hidhet, por do të ripërdoret për zgjerimin e vijës bregdetare.

Punimet do të krijojnë rreth 3 km² tokë të re, pjesërisht në ishullin danez të Lollandit dhe pjesërisht në ishullin gjerman të Fehmarnit, e cila do të shfrytëzohet për zona natyrore dhe hapësira të gjelbra bregdetare.

Rëndësia për transportin europian të mallrave

Një nga aspektet më të rëndësishme të projektit lidhet me transportin ndërkombëtar të mallrave. Tuneli Fehmarn Belt është pjesë e rëndësishme e korridorit skandinavo-mesdhetar, rrjetit hekurudhor që lidh Skandinavinë me Italinë përmes Gjermanisë.

Pasi të vihet në funksion, ai do të lejojë kalimin e 68 trenave të mallrave në ditë përmes ngushticës, ndërsa 30 trena të tjerë do të devijohen nga porti i Travemundes drejt jugut, në drejtim të Italisë.

Për Italinë, e cila eksporton dhe importon sasi të mëdha mallrash me hekurudhë përmes Gjermanisë, kjo do të thotë rritje e ndjeshme e kapaciteteve transportuese dhe ulje e kohës së tranzitit në një nga korridoret më strategjike të tregtisë europiane. Pra, bëhet fjalë për një tunel nën det, por me ndikim ekonomik dhe logjistik që shtrihet nga Deti Baltik deri në hapësirën mesdhetare.

Disa përfundime kryesore lidhur me ndikimet e këtij projekti dhe në përgjithësi të investimeve strategjike në fushën e transportit, tregtisë, turizmit, etj.

– Përshpejtimi i transportit dhe i tregtisë, tuneli do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit midis Danimarkës dhe Gjermanisë, mallrat do të transportohen më shpejt dhe me kosto më të ulët duke rritur efikasitetin e zinxhirëve të furnizimit në Europën Veriore.

– Forcimi i integrimit ekonomik europian, lidhja do të përmirësojë korridorin transportues midis Skandinavisë dhe Europës Qendrore nga ku pritet të rriten shkëmbimet tregtare dhe investimet ndërkufitare.

– Rritja e konkurrueshmërisë së rajonit, bizneset do të përfitojnë nga qasja më e shpejtë në tregje dhe porte, rajonet përreth tunelit mund të tërheqin investime të reja industriale dhe logjistike.

– Zhvillimi i turizmit, udhëtimet më të shpejta do të lehtësojnë lëvizjen e turistëve midis vendeve nordike dhe pjesës tjetër europiane, kjo do të sjellë të ardhura shtesë për sektorin e turizmit dhe shërbimeve.

– Përfitime për tregun e punës, projekti ka krijuar vende pune duke nisur që prej fazës së ndërtimit, dhe pas përfundimit mund të rritet lëvizshmëria e punëtorëve dhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet rajoneve.

– Ndikimi mjedisor afatgjatë, kalimi i një pjese të trafikut nga tragetet dhe rrugët drejt hekurudhës mund të ulë emetimet e CO₂ për njësi transporti, proces që mbështet objektivat e BE-së për transport më të qëndrueshëm./Monitor.al

“Bunkerizimi” i Gjykatës së Posaçme, BIRN: Rregullorja e re e GJKKO cenon aksesin e gazetarëve

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO, miratoi më 17 korrik një rregullore të re që përcakton udhëzime për sigurinë dhe sjelljen në ambientet e saj. Ky vendim, i shoqëruar nga një komentar voluminoz prej 532 faqesh, prek njëherazi aksesin e mediave dhe gazetarëve në gjykatë.

Në një hapësirë të veçantë dedikuar marrëdhënieve me median, hyrja e komentarit, e shkruar nga gjyqtari dhe kryetari në detyrë i GJKKO-së, Erjon Bani, pohon se transparenca e drejtësisë është “një vlerë kushtetuese” në një shoqëri demokratike. Megjithatë, dokumenti shton se kufizimet e reja nuk kanë si qëllim censurën, por synojnë realizimin e “ekuilibrit ndërmjet transparencës së veprimtarisë gjyqësore, mbrojtjes së të drejtave themelore dhe garantimit të sigurisë institucionale”.

Pavarësisht këtij justifikimi, përkthimi i këtyre parimeve në nene konkrete kufizuese ka ngritur alarmin e gazetarëve dhe organizatave të medias. Ajo që gjykata e quan një “sistem të integruar qeverisjeje institucionale”, nga gazetarët e terrenit dhe organizatat e medias shihet si një përpjekje për censurë dhe kufizim të lirive.

Ndryshe nga praktika e deritanishme e dyerve të hapura për seancat publike, rregullorja e re kushtëzon praninë e medias me kërkesa specifike kohore, pavarësisht nëse gazetari është i pajisur me një kartë akreditimi me afat 1-vjeçar.

Sipas nenit 93, pika 3 e rregullores, përfaqësuesit e medias duhet të paraqesin kërkesë pranë administratës së Gjykatës “jo më vonë se 24 orë përpara zhvillimit të saj, nëpërmjet formularit elektronik”. Të njëjtat afate zbatohen edhe për kërkesat për regjistrim filmik, fotografim apo transmetim.

Për gazetarët që mbulojnë çështjet e gjyqësorit, kjo kërkesë përbën një bllokim për mbulimin e seancave dhe një ngarkesë burokratike të pajustifikuar, e cila bie sipas tyre ndesh me Kushtetutën.

Reporterët e terrenit dhe organizatat theksojnë se këto rregulla tejkalojnë nevojën për solemnitet dhe siguri. Ata kritikojnë mungesën e një konsultimi të mëparshëm me mediat dhe gazetarët, dhe po ashtu ngrenë shqetësime se, përpos kërkesës për akreditim, rregullorja ka një sërë kërkesash burokratike për autorizime për ndjekjen e seancave që duhet të jenë publike, duke penguar punën e gazetarëve. Ata thonë po ashtu se rregullorja po duplikon udhëzuesin për komunikimin me median, i miratuar pas konsultimeve të gjata nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

“Ne nuk jemi kundër rregullave që garantojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor. Përkundrazi, besojmë se ato janë të nevojshme. Por çdo kufizim duhet të jetë proporcional, i arsyetuar dhe i bazuar në ligj,” tha për BIRN Isa Myzyraj, përfaqësues i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH).

Më i ashpër në qëndrim ishte Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), që e sheh rregulloren si udhëzues për të shkelur Kushtetutën dhe lirinë e shprehjes.

“Në këto dy dokumente udhëzohet dhe urdhërohet se si gazetarët të pengohen të raportojnë dhe të transmetojnë, por kryesisht edhe se si të jenë të kufizuar për të regjistruar faktet që ndodhin në gjykatë,” thuhet në një qëndrim publik të UGSH-së.

Kryetari i Gjykatës, Erjon Bani nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.


Send this to a friend