VOAL

VOAL

Demokratët kërkojnë hetim për biznesin e Trumpit në Azerbajxhan

Dianne Feinstein – senatore demokrate

Një grup i senatorëve të njohur demokratë në Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Departamenti i thesarit dhe Zyra e prokurorit të përgjithshëm, të zhvillojnë hetime për dyshimet lidhur me biznesin e presidentit, Donald Trump, në Azerbajxhan, duke thënë se ndoshta i ka shkelur sanksionet amerikane kundër Iranit.

Dianne Feinstein, Ben Cardin dhe Sherrod Brown, këtë kërkesë e kanë bërë sot, duke thënë se shqetësimet e tyre ishin ngritur pas një artikulli në revistën, The New Yorker, me titullin, Marrëveshja më e Keqe e Donald Trumpit, ku përshkruhen lidhjet biznesore të Organizatës Trump me Ministrin e transportit të Azerbajxhanit dhe oligarkun, Ziya Mammadov.

Mammadov është i dyshuar se ka lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit, që është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, për shkak të mbështetjes së terrorizmit.

Senatorët kanë theksuar se megjithqë firma e zotit Trump ishte tërhequr nga marrëveshja e propozur për ndërtimin e një rrokaqielli në kryeqytetin Baku në Azerbajxhan, megjithatë “mbeten pa përgjigje pyetjet serioze për potencialin e Organizatës Trump për përgjegjësi penale”.

Presidenti Trump ka refuzuar ta tërheq vetveten nga interesat biznesor të tij ose që ato të administrohen nga një trupë e pavarur dhe, për dallim nga presidentët dhe kandiatët presidencialë prej viteve të 70-ta, ka refuzuar t’i zbuloj taksat e tij.

Trump, thirrje kundër Grupit të Lirisë

Presidenti amerikan Donald Trump bëri një thirrje kundër Grupit të Lirisë, republikanët më konservatorë të Kongresit, që ishin kryesisht përgjegjës për dështimin e përpjekjeve për të ndryshuar ligjin e kujdesit shëndetësor.

Në një postim në Twitter të enjten, zoti Trump u bëri thirrje republikanëve që të sfidojnë anëtarët e këtij grupi dhe demokratët.

Mesazhi i Presidentit Trump dukej se inkurajonte sfidat ndaj anëtarëve të këtij grupi në votimet brenda partisë për zgjedhjet për anëtarët e Kongresit, vitin e ardhshëm. Grupi i Lirisë ka rreth 32 anëtarë, shumica e të cilëve fituan lehtësisht zgjedhjet në distrikte me prirje republikane.

Administrata e Presidentit Trump nuk është e kënaqur me pavarësinë e këtij grupi. Presidenti u përpoq me forcë të bindte anëtarët e tij për të zëvendësuar ligjin e kujdesit shëndetësor të ish-Presidentit Obama.

Por përpjekjet e tij dështuan të premten e kaluar përballë kundërshtimit të Grupit të Lirisë, pasi zoti Trump dhe Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan nuk arritën të bindnin numrin e nevojshëm të ligjvënësve që të votonte në favor të tyre.

Filimisht Presidenti Trump fajësoi demokratët për humbjen, por më pas kritikoi Grupin e Lirisë.

Paralajmërimi i zotit Trump vjen ndërsa republikanët po bëhen gati për një muaj debate brenda partisë për përparësitë e buxhetit.

Kongresi duhet të miratojë një paketë shpenzimesh deri më 28 prill, për të shmangur ndaljen e funksionimit të qeverisë.

Pushohen për drogë 6 punonjës të ambasadës amerikane në Kabul

Departamenti i Shtetit ka pushuar gjashtë punonjës të ambasadës amerikane në Afganistan, të akuzuar se kanë marrë drogë ose janë kapur me drogë. Akuzat janë shumë shqetësuese duke pasur parasysh përpjekjet disa-vjeçare amerikane për të luftuar prodhimin e opiumit në Afganistan.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se punonjësit e ambasadës u pushuan, ndërsa disa kontraktorë humbën kontratën e punës.

Zyrtari nuk pranoi të thoshte si u hap investigimi, por sipas një artikulli në gazetën Wall Street Journal, hetimet u hapën pasi në ambjentet e ambasadës u pa një person që sorollatej në gjendje konfuzioni.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha të enjten për Zërin e Amerikës se punonjësit e pushuar “ishin gjetur me substanca të ndaluara në zotërimin e tyre, ose duke konsumuar substanca të tilla”.

Prodhimi i opiumit është një nga burimet kryesore të të ardhurave për Talibanin dhe grupe të tjera kryengritëse.

Afganistani është gjithashtu eksportuesi i 90% të heroinës që qarkullon në botë. Megjithë përpjekjet globale për të luftuar trafikun e drogës, sipas Kombeve të Bashkuara prodhimi arriti nivele rekord në 2016.

Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar mbi 8 miliardë dollarë në luftën kundër drogës që nga fillimi i luftës në Afganistan në 2001.

Rusia, zgjedhjet dhe hetimi në Kongresin amerikan

Komisioni i Senatit amerikan për Çështjet e Zbulimit nisi një seri seancash lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të nëntorit. Në seanca do të shqyrtohet edhe ndonjë bashkëpunim i fshehtë me rusët nga ana e rrethit të brendshëm të presidentit Donald Trump.

Krerët e Komisionit kanë thënë se ndërhyrja e Rusisë në demokracinë amerikane do të dalë në shesh herët a vonë. Michael Bowman i Zërit të Amerikës njofton.

Në komentet e hapjes sot, numri dy i Komisionit, senatori Mark Warner i Virxhinias, akuzoi drejtpërdrejt Presidentin rus Vladimir Putin.

Ai tha se ishte pa dyshim presidenti Putin që dha urdhër për një fushatë të orkestruar me kujdes që synonte të minonte zgjedhjet e nëntorit të kaluar në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkaq, dy krerët e Komisionit kanë demonstruar unitet pa dallime partiake për këtë hetim që ata thonë se do të ketë përmasa mjaft të gjera.

“Nëse e politizojmë procesin, ka mundësi të dështojmë”, u shpreh sot kryetari i Komisionit, republikani Richard Burr.

Bëhet fjalë për dokumente të shumta që duhen analizuar dhe njerëz që duhen intervistuar, duke përfshirë këshilltarë të zotit Trump dhe dhëndrrin e tij Jared Kushner, të cilët pranuan vullnetarisht të dëshmojnë.

“Hetimi do të shtrihet aty ku do ta çojnë informacionet e zbulimit,” thotë kryetari republikan i Komisionit, Burr.

“Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj,” pohoi numri dy i këtij Komisioni, Warner.

“Komisioni do të zhvillojë një intervistë me zotin Kushner, pasi të kemi vendosur për datën”, tha Senatori Burr.

As kryetari republikan dhe as numri i dy demokrat i Komisionit nuk bënë të ditur ndonjë përfundim të arritur deri tani, përveç qëllimeve të Rusisë.

“Qëllimi i Vladimir Putinit është një Amerikë më e dobët: më e dobët ekonomikisht, më e dobët globalisht. Ky duhet të jetë një shqetësim për të gjithë amerikanët pavarësisht nga përkatësia partiake,” thotë demokrati Mark Warner.

Deri tani, rolin kryesor në hetimet mbi Rusinë e kishte marrë Komisioni për Zbulimin i Dhomës së Përfaqësuesve. Por Komisioni i anuloi seancat dëgjimore për këtë javë, pas një stuhie kritikash në drejtim të kryetarit të tij republikan, Devin Nunez, i cili e informoi personalisht presidentin Trump rreth materialeve sekrete që kishte në dispozicion, para se ato t’i ndante me Komisionin.

Meqenëse Komisioni i Dhomës nuk po gjen një gjuhë të përbashkët, Komisioni i ngjashëm i Senatit është tani në qendër të vëmendjes. Senatori Burr pranoi se ka votuar për zotin Trump nëntorin e kaluar, por tha se përkatësia partiake nuk do të ndikojë në punën e tij.

Megjithatë, një numër në rritje demokratësh thonë se e vërteta e plotë ndoshta nuk do të dalë kurrë në shesh në komisionet e Kongresit që kontrollohen nga republikanët.

“Mendoj se duhet të jemi të hapur ndaj krijimit të një komisioni të pavarur jopartiak për të hetuar se çfarë ka ndodhur. Ne nuk duhet të lejojmë që presionet ose akuzat e pabaza politike të na pengojnë për të ndjekur faktet,” tha senatori demokrat Martin Heinrich.

Shtëpia e Bardhë është ankuar për një fushatë diskreditimi kundër ekipit të presidentit, por ka pranuar nevojën që hetimet të vazhdojnë.

“Ne duam që kjo të përfundojë, po aq sa edhe disa prej jush. Por ne e kuptojmë se gjërat duhet të kalojnë nëpër një proces,” thotë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Ky proces mund të ketë jehonë përtej Shteteve të Bashkuara. Senatori Burr tha se Rusia është “përfshirë aktivisht” në zgjedhjet e ardhshme të Francës.

Presidenti kinez Xi Jinping do të vizitojë SHBA

Presidenti kinez Xi Jinping do të vizitojë Shtetet e Bashkuara për bisedime me presidentin Donald Trump më 6 prill. Lajmi u konfirmua sot nga Shtëpia e Bardhë.

Takimi dy ditor do të zhvillohet në rezortin e presidentit Trump në Maralago të Floridës.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, që nuk jep shumë hollësi mbi takimin, thuhet se bisedimet do të përfshijnë “çështje globale, rajonale dhe të mardhënieve dy palëshe me interes të ndërsjellë”.

Gjatë fushatës për president zoti Trump ka qenë kritik ndaj praktikave tregtare të Kinës. Ai ka kërcënuar se do të vendosë tarifa të ashpra për mallrat që importohen nga Kina.

Në fillim të këtij muaji Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson vizitoi Kinën në përgatitje për vizitën e presidentit Xi. Sekretari i shtetit i shprehu presidentit kinez interesimin e Presidentit Trump për të rritur mirëkuptimin mes dy vendeve.

Ivanka Trump zyrtarisht i bashkohet administratës

Ivanka Trump zyrtarisht i është bashkuar administratës së babait të saj si punonjëse e papaguar, me titullin Asistente e Presidentit, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.

Zonja Trump tha se do të shërbejë pa pagesë, pasi planet e saj për të shërbyer në një kapacitet më joformal janë vënë në pyetje nga ekspertët e etikës.

“I kam dëgjuar shqetësimet që kanë pasur disa me këshillimin e presidentit në kapacitetin tim personal”, tha zonja Trump.

Ekspertët e etikës kanë dalë me kritika javën e kaluar, pas raporteve se zonjës Trump do t’i jepet Zyra e Krahut Perëndimor në Shtëpinë e Bardhë, pa iu bashkuar zyrtarisht administrtaës.

Kritikët kanë thënë se roli i zonjës Trump duhet të bëhet zyrtar, në menyrë që ajo të ketë detyrime si punonjëse federale dhe me standarde të etikës.

Bashkëshorti i saj, Jared Kushner, është këshilltar i lartë i presidentit Donald Trump.

Gjykatësi bllokon pa kufi urdhrin e ri të Trumpit për udhëtimin

Urdhri fillestar i presidentit Trump, në lidhje me udhëtimin, ka shkaktuar protesta në SHBA. Janar, 2017

 

Një gjykatës federal në Havaji të Shteteve të Bashkuara zgjati për kohë të pacaktuar një vendim të mëparshëm të tij për pezullimin e ndalesave të udhëtimit, të urdhëruara nga presidenti Donald Trump.

Vendimi i gjykatësit Derrick Watson do të thotë se Trump nuk mund të zbatojë urdhrin për qytetarët e gjashtë vendeve me shumicë myslimane, derisa ai kontestohet në gjykatë.

Pasi dëgjoi argumentet nga avokatët e shtetit të Havajjit dhe zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit, gjykatësi Watson tha se ndalesat në udhëtime do të dëmtonin turizmin dhe mundësinë për të pranuar studentë dhe punëtorë të huaj.

“Vendimi i gjykatësit Watson është një pohim i vlerave të lirisë fetare dhe u mundëson të gjithë myslimanëve dhe refugjatëve të përballen me më pak pasiguri”, tha Zyra e Prokororit të Përgjithshëm të Havajit.

Presidenti Trump thotë se urdhri i tij ka për qëllim të parandalojë terroristët të hyjnë në SHBA.

Urdhri i pezulluar, i nënshkruar më 6 mars, ka qenë rishikim i urdhrit fillestar të Trumpit, të nënshkruar më 27 janar, i cili u ka ndaluar hyrjen në SHBA vizitorëve nga shtatë vende me shumicë myslimane dhe individëve me dokumente valide të qëndrimit dhe viza.

Vendet e prekura në urdhrin e rishikuar janë Irani, Siria, Sudani, Somalia, Libia dhe Jemeni, ndërsa është hequr Iraku. Edhe urdhri i rishikuar, edhe urdhri fillestar u kanë ndaluar hyrjen në SHBA të gjithë refugjatëve.

Pasi është sfiduar në gjykata, presidenti Trump është ankuar për, siç ka thënë, “humbje të paparë të ekuilibrit gjyqësor”, dhe ka thënë se do ta çojë rastin edhe në Gjykatën Supreme, nëse është e nevojshme.

Urdhri i rishikuar është sfiduar edhe në disa shtete të tjera. Në shtetin Merilend, për shembull, është bllokuar pjesa e urdhrit që prek vizat, por jo edhe ajo që ka të bëjë me kufizimet për refgjatët.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, e cilësoi vendimin e fundit të gjykatësit Watson si goditje të re mbi, siç tha, veprimet kontroverse të presidentit.

“Gjykatat përsëri e hodhën poshtë ndalesën ndaj myslimanëve. Sikurse ndalimi i mëparshëm i udhëtimit, edhe urdhri i ri është paturpshëm diskriminues”, tha Margaret Huang, drejtore ekzekutive e Amnesty International në SHBA.

“Presidenti Trump duhet ta brakstisë këtë agjendë të dështuar dhe ta tërheqë ndalimin”, shtoi ajo.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuseve, Paul Ryan, ka thënë më herët se ndalesa është e nevojshme për të përmirësuar verifikimin e njerëzve që hyjnë në SHBA dhe për të parandaluar sulmet terroriste. Ai ka thënë se nuk ka dyshim se ajo do të vërtetohet nga gjykatat më të larta.

Përgatiti: Valona Tela

Sondazhi: Mbështetja për presidentin Trump e pandryshuar

Shkalla e miratimit të punës që po bën presidenti Donald Trump ka mbetur në nivelin e rreth 40 për qind, që nga koha kur mori zyrtarisht detyrën në janar. Kjo falë mbështetjes së fortë të republikanëve, të cilët nuk e shohin zotin Trump si përgjegjës për dështimin e përpjekjes për të zëvendësuar sistemin e kujdesit shëndetsor.

Një sondazh i ri i kryer nga rrjeti mediatik CBS në periudhën 25 mars deri më 28 mars, tregon se 40 për qind e amerikanëve e miratojnë punën që po bën zoti Trump. Një shifër përgjithësisht e pandryshuar nga 39 për qind që kishte në fund të shkurtit dhe 40 për qind në fillim të po atij muaji.

Sipas republikanëve të anketuar, faji për dështimin e zëvendësimit të “Obamacare” qëndron tek projektligji që u propozua dhe jo tek mënyra sesi presidenti trajtoi një prej premtimeve të tij kryesore të fushatës.

49 për qind e të anketuarve thanë se projektligji dështoi sepse “nuk kishte mbështje të gjerë”. Mes republikanëve 41 për qind dhanë të njëjtën përgjigje.

30 për qind e republikanëve thanë se projekt-ligji nuk siguroi mbështetje të mjaftueshme pasi “demokratët nuk ranë dakort për kompromis”. Vetëm 14 për qind e të gjithë të intervistuarve dhanë të njejtën përgjigje.

40 për qind e amerikanëve, duke përfshirë 67 për qind të demokratëve, besojnë se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 me qëllim për të ndihmuar Donald Trumpin të fitojë. Me këtë vlerësim pajtohen vetëm 13 për qind e republikanëve.

Shumica e demokratëve dhe të pavarurve besojnë se është e mundshme që bashkëpunëtorët e Donald Trumpit të kenë patur kontakte të papërshtatshme me zyrtarë të qeverisë ruse. Por tre të katërtat e republikanëve nuk besojnë se këto kontakte kanë ndodhur.

Ndërsa shumica e amerikanëve thonë se FBI-ja duhet të hetojë lidhjet e mundshme mes zyrtarëve të fushatës së zotit Trump dhe Rusisë, me këtë qëndrim bien dakord vetëm një e treta e republikanëve.

Shumica e të anketuarve me bindje republikane besojnë se zyra e zotit Trump mund të jetë përgjuar gjatë fushatës. Gjysma e të anketuarve, pa bindje politike, gjithashtu besojnë se është përgjuar, ndërkohë që shumica e demokratëve mendojnë që jo.

Anketa tregon vlerësim të madh nga republikanët për punën e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan. 60 për qind e republikanëve e miratojnë punën e tij krahasuar me 33 për qind të të gjithë të anketuarve.

Sekretari Tillerson viziton Turqinë në një moment kritik

Rex Tillerson po bën vizitën e pare si Sekretar Shteti në Turqi, një aleat kyç i NATO-s.

Operacioni i ardhshëm për të dëbuar Shtetin Islamik nga kryeqyteti i tij i vetëshpallur, Raqqa në Siri, pritet të jetë në krye të axhendës së zotit Tillerson në Ankara. Ai do të takohet me udhëheqësit e vendit, përfshirë Presidentin Recep Tayyip Erdogan. Mbështetja e Uashingtonit për grupin kryengritës kurd sirian, PYD dhe milicinë e tij YPG në luftën kundër Shtetit Islamik, ka qenë dhe mbetet një pike tensioni me Ankaranë që i akuzon ata se janë të lidhur me PKK-në, që po lufton kundër shtetit turk.

“Pa dyshim që ka një sërë çështjesh kritike duke filluar nga Siria”, thotë Sinan Ulgen, një studiues në Institutin Carnegie në Evropë. Zoti Ulgen thotë se në Ankara ka shpresa të mëdha pas zgjehdhjes së Donald Trumpit.

“Pasi Donald Trumpi u bë president, Turqia u përpoq të ushtronte ndikim tek udhëheqësit e rinj amerikanë, për të ndërprerë lidhjen mes Shteteve të Bashkuara dhe kurdëve sirianë të grupit PYD, që Ankaraja e konsideron një organizatë terroriste që godet interesat e saj jetike. Pra kjo është një çështje shumë e vështirë”.

Zyrtarisht, Presidenti Donald Trump nuk ka marrë një vendim për vazhdimësinë e mbështetjes së grupeve kurde siriane, që përbën boshtin e Forcave Demokratike Siriane, që po luftojnë aktualisht Shtetin Islamik dhe po marshojnë drejt Raqqa-s. Por në terren, mbështetja amerikane është rritur në mënyrë të ndjeshme përballë shqetësimeve të Ankarasë.

Analistët lënë të kuptohet se Ankaraja do të kërkojë garanci nga zoti Tillerson që forcat kurde do të tërhiqen me shpejtësi nëse marrin pjesë në marrjen nën kontroll të Raqqa-s. Sekretari Tillerson mund të ndihmojë në zbutjen e pakënaqësisë së Ankarasë nëse ashtu siç pritet,ai diskuton çështjen e krijimit të zonave të sigurta në Siri për kthimin e sirianëve, një kërkesë kryesore e Ankarasë.

“Nuk do të ishte habi nëse Shtetet e Bashkuara mbështesin PYD-inë përsa i takon Raqqa-s. Është si të shohësh me xhiro të ngadalrta një përplasje treni. Gjithkush e di që do të ndodhë”, thotë ish diplomati i lartë turk, Aydin Selcen, që ka shërbyer në shumë vende të rajonit dhe në Uashington.

Por zoti Selcen mendon se meqenëse Ankaraja do që të realizojë një vizitë shtetërore në Uashington, do të ketë prirjen që të mos lejojë mosmarrëveshjet për Sirinë, të dëmtojnë vziitën e zotit Tillerson.

Frenimi i sjelljes agresive rajonale të Iranit, pritet të jenë një nga temat kryesore ku interesat e dy vendeve përputhen dhe pjesë e bisedimeve në takimet e zotit Tillerson, thotë analisti Ulgen.

Edhe marrëdhënia e Ankarasë me Moskën pritet të jetë në programin e Sekretarit amerikan të Shtetit. Muajt e fundit, ka pasur një shqetësim në rritje mes aleatëve të Turqisë në NATO lidhur me drejtimin e vendit, shqetësime që duket se Ankaraja i ka ushqyer, duke e parë rivendosjen e marrëdhënieve miqësore me Rusinë, si një kartë të vlefshme në negociatat me aleatët perëndimorë.

Por afrimi mes dy vendeve, mund të jetë duke shfaqur shenja ftohjeje dhe ish-diplomati Selcen parashikon se kjo mund t’I japë një shtysë përmirësimit të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë.

Zoti Tillerson mund të përballet edhe me çështje të tjera delikate, si për shembull kërkesa e Ankarasë për ekstradimin e klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin Turqia e konsideron përgjegjës për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit në korrik. Uashingtoni këmbëngul se kjo është një çështje që u takon gjykatave a zgjidhin. Sekretari Tillerson ka gjasa të përballet me kërkesën që Gulen të kapet dhe të mbahet i ndaluar, në pritje të kërkesës së Ankarasë për ekstradim.

Një eksperte për Rusinë raportohet se do të marrë post kyç në Shtëpinë e Bardhë

The Washington Post ka raportuar se Fiona Hill, analiste për Rusinë dhe eksperte për presidentin Vladimir Putin, do të marrë postin e drejtores së lartë për Evropë dhe Rusi në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Për këtë çështje, Washington Post ka raportuar më 28 mars, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar nga Shtëpia e Bardhë. Në fillim të marsit, mediat kishin raportuar se presidenti Donald Trump dëshiron ta emërojë Hillin në këtë pozitë por kjo gjë nuk është konfirmuar.

Hill prej vitit 2006 deri 2009, kishte shërbyer si zyrtare e inteligjencës kombëtare për Rusi dhe Euroazi në Këshillin Kombëtarë të Inteligjencës.

Tillersoni do të kërkojë nga NATO që të rrisë presionin ndaj Rusisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s do të diskutojë për nevojë që aleanca t’i bëjë presion Rusisë mbi “agresionin ndaj fqinjëve” dhe që të përmbushë obligimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kështu ka thënë një zyrtar i Departamentit të Shtetit, teksa ka komentuar përmes telefonit me gazetarët, vetëm disa ditë përpara se Tillerson të marrë pjesë në takimin e NATO-s në Bruksel.

Në takimin e 31 marsit, Tillerson do të “konsultohet me aleatët për përkushtimet tona të përbashkëta për të përmirësuar situatën e sigurisë në lindje të Ukrainës dhe nevojën që NATO të vazhdojë t’i bëjë presion Rusisë për t’i dhënë fund agresionit ndaj fqinjëve, dhe të respektojë marrëveshjen e Minskut”, ka thënë ky zyrtar që ka folur në kushte anonimiteti.

Tillerson kishte planifikuar që të mos marrë pjesë në takimin e NATO-s, që fillimisht ishte paraparë të mbahej më 5-6 prill. Por më pas ky takim u planifikua që të mbahet më 31 mars.

Gjatë fushatës zgjedhore më 2016, Donald Trump e kishte përshkruar NATO-n si organizatë të “vjetruar”. Ai gjithashtu ka bërë thirrje që të gjithë anëtarët e aleancës të paguajnë pjesën e tyre për shpenzimet e mbrojtjes.

Teoritë e konspiracionit të Ballkanit mbërrijnë në Kongresin e SHBA Marrë nga ‘Foreignpolicy’

Një grup senatorësh republikanë po shpërndajnë akuza të rreme nga një organizatë e dyshimtë në mbështetje të forcave të korruptuara e antidemokratike të rajonit.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson po përpunon përgjigjen e tij për një letër që i është dërguar më 14 Mars bga gjashtë senator për ta nxitur të hetojë veprimtaritë e Ambasadave Amerikane, misioneve të USAID-it, zyrave diplomatike që punojnë në mbështetje të demokracisë nëpër botë.

Senatori Mike Lee (përfaqësues i shtetit të Utah), hartuesi kryesor dhe senatorët e tjerë, padyshim që përhapën aludime të rreme të ngritura nga një fletëpalosje e shpërndarë në Kongres nga një grup maqedonas, Stop Operation Soros, krijuar nga Cvetin Chilimanov, redaktor i Shërbimit Shtetëror të Lajmeve në Maqedoni dhe një ish punonjës i zyrës së Presidentit.

Letra ka në qender përpjekjet e dy ambasadorëve amerikanë në karrierë për të përkrahur demokracinë në Maqedoni e Shqipëri, duke nënkuptuar që misionet e tyre u futën hundët në partitë politike “për të forcuar të majtën”. Ajo supozon që fondacioni Shoqëria e Hapur për Maqedoninë dhe fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, të cilat financohen nga filantropi milioner George Soros, luajtën rolin e ndërmjetësit në këtë veprimtari.

Tillerson duhet ta injorojë letrën, sepse nuk ka asgjë për tu hetuar. Përvec faktit se është e mbushur me pasaktësi lidhur me punën e fondacionev, senatorët i bëjnë jehonë argumenteve të Kremlinit dhe përkrahin agjendën e elementeve të korruptuar e anitdemokratikë në rajon.

Këtë unë e di mirë sepse jam drejtor i Iniciativës Shoqëria e Hapur për Europën, themeluar nga Soros. Gjithashtu, jam maqedonas. Në 2015  vendi im u përfshi nga kriza politike pasi një parti opozitare publikoi një seri rregjistrimesh të zbuluara të bisedave. Njëra dukej sikur tregonte Kryeministrin e kohës Nikolla Gruevski që inkurajonte zyrtarë të zgjedhjeve të zhvlerësonin votat e hedhura kundër parties së tij. Të tjera regjistrime shfaqën një korrupsion të shfrenuar dhe një program survejimi masiv që shënjestronte 20 000 njerëz. Si përgjigje, qindra mijëra protestues kundër qeverisë dolën nëpër rrugët e Maqedonisë në 2015 dhe 2016 dhe një prokuror i vecantë nisi një hetim kundër Gruevskit, që u nxit nga BE të tërhiqej.

Zgjedhjet e fundvitit të kaluar nuk i dhanë asnjërës parti mandatet e mjaftueshme për të krijuar një qeveri të re, Gruevski mbetet forca më e rëndësishme në një Maqedoni të ndarë.

Përballë një dënimi të mundshëm me burgim, Gruevski nuk duket i gatshëm të marrë përsipër përgjegjësinë për krimin dhe krizën politike shkaktuar nga hetimi që po vazhdon. I qortuar nga BE-ja dhe i gatshëm për ta hedhur fajin diku tjetër, ai duket sikur i merr fjalimet e gatshme nga Moska. Ka papagalluar propagandën e Kremlinit që i etiketon zërat kritikë si armiq të populllit. Soros, që sponsorizon bashkë me donatorë të tjerë privatë dhe BE-në, organizata të pavarura, janë bërë “koka turku” të volitshme.

Në Kongresin Amerikan është rënë dakort gjerësisht se përkrahja e organizatave të shoqërisë civile të globit nuk është cështje partiake. Që në kohën e Ronald Reganit, të dy partitë kanë bërë tepër për të ndihmuar vendet që ishin në tranzicionin nga komunizmi drejt demokracisë. Gjithsesi, në letër, senatorët i kërkojnë Tillersonit që të ndalojë promovimin e demokracisë që “po tregon mungesë respekti ndaj sovranitetit kombëtar”. Një interpretim i tillë prezumon që qeveritë janë të shenjta dhe sovrane, e jo në fakt votuesit që i zgjedhin ato, dhe që një shoqëri civile e shëndetshme minon zhvillimin e vendit.

Duke bërë këto deklarata, senatorët kanë shtyrë padashje rrëfenjën autoritare të Presidentit Rus Vladimir Putin drejt e në Kapitol. Duke zgjedhur fjalë të ngjashme me ato që media ruse përdorte për të përshkruar krizën në Ukrainë, që etiketoi të gjitha mospajtimet e popullit si të krijuara nga perëndimi, letra akuzon USAID-in që po e destabilizon Shqipërinë, një vend ish komunist, tashmë aleat në NATO; duke nxitur reformën në drejtësi atje.

Ata nuk japin asnjë provë që ta materializojë deklaratën përvec faktit se USAID ka sponsorizuar punën e Open Society Foundation for Albania, dhe edhe kjo është e pasaktë.
Ndryshe nga supozimet e rreshtuara në një letër nga “liderë të respektuar nga Shqipëria” anonimë, fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë nuk ka pranuar as administruar kurrë fonde nga USAID-i.

Ajo nuk e ka krijuar Dokumentin Strategjik për Reformën Gjyqësore në Shqipëri sic deklaron letra, komisioni multipartiak i parlamentit Shqiptar për reformën gjyqësore e hartoi atë. Fondacioni mbështeti procesin duke financuar komisionin dhe skuadrën e ndihmës teknike, por nuk kishte asnjë lidhje me dokumentin. Senatorët duket se kanë rënë viktima të një ushtrimi politik për të zhvlerësuar procesin e reformës gjyqësore dhe Kryeministrin, ironike kur llogarit shqetësimin e tyre për stabilitetin e vendit.

Mbase pjesa më alarmuese është që letra e senatorëve barazon nxitjen për një “agjendë progressive” me promovimin e një “agjende politike”. Ata mesa duket harrojnë që progresi, në sundimin e ligjit, demokraci e në respektimin e të drejtave të njeriut, është një ideal njerëzor mishëruar në ligjin ndërkombëtar nga qeveri nga të gjitha anët e spektrumit politik. Senatorët argumentojnë që debate kritik dhe reforma që ka qëllim ta realizojë këtë ideal, kanë patur një “efekt destabilizues” në rajon.

Historia tregon se ata e kanë gabim. Nuk është rastësore që vendet më të suksesshëm në botë (kujtoni Gjermaninë ose Hollandën, pa përmendur SHBA-të) i mirëpresin debatet politike kumbuese dhe të shumëllojshme. Duke i thënë e iu drejtuar shqetësimeve të publikut krijohet një stabilitet kohëgjatë, dhe duke i shtypur vetëm i ushqen me frustrim dhe rrit mundësitë për paqëndrueshmëri.

Nuk është e habitshme që senatorët kanë dëgjuar nga lider të ngulitur që i shohin shoqëritë civile kritike si armiq. Politikanëve nuk i pëlqejnë kritikat. Ppr hetimi që ata kërkojnë do të shënjestronte punën e organizatave prodemokratike si International Republican Institute (IRI), National Democratic Institute (NDI), National Endowment for Democracy (NED), U.S. Institute of Peace (USIP), dhe pafund të tjera nëpër botë, duke u bazuar në atë që duket se janë thjesht komente të politikanëve që shohin interesat e tyre në dy shtetet.

Miratimi i një hetimi të tillë do të shënonte një largim të rrezikshëm nga dekadat kur politika amerikane promovonte demokracinë dhe të drejtat e njeriut jashtë kufijve të vet, praktikë e të dy administratave, si republikane, ashtu edhe demokratike. Do të shënonte braktisjen e botëkuptimit që interesat e SHBA-ve plotësohen nga marrëdhënie me shtete paqësore, të qëndrueshme që ndajnë të njëjtat vlera demokracie.

Letra po ashtu injoron faktin që shumë prej punës së fondacionit është e destinuar të mbështesë institucione shtetërore.  Tillerson duhet ta llogarisë këtë para se të marrë vendimin e tij. Që kur Sorosi themeloi the Open Society Foundations në 1979, puna jonë ka ndihmuar në përmirësimin e jetës së miliona njerëzve nëpër botë.

Fondacioni Shoqëria e Hapur Maqedoni me mbështetjen e tij ishte thelbësore për mbijetesën e vendit në vitet e saj të hershme. Nën bllokadë nga fqinjët pasi deklaroi pavarësinë në 1991 gjatë ndarjes nga jugosllavia, fondacioni ndihmoi të mbante gjallë sistemin e kujdesit shëndetësor të Maqedonisë, duke sjellë medikamente, pajisje laboratory, ambulance dhe pajisje sanitare në 45 spitale dhe klinika në të gjithë vendin. Në 1994, ajo pagoi 50 % të kostos për 40 fluturime masive mallrash drejt Sllovenisë që fermerët mMaqedonas të mund të dërgonin prodhimet e tyre të freskëta në një treg europian.

Deri më sot, Fondacioni Shoqëria e Hapur Maqedoni ka shpenzuar 171 500 dollarë më shumë se sa qeveria e Maqedonisë për t’i mundësuar njerëzve më të varfër të vendit shërbim ligjore falas. Këto projekte ofrojnë ndihmë ligjore për cdo person apo organizato së cilës i refuzohet dhënia e informacionit për veprimtari qeveritare, si për shembull shpenzimet për një projekt infrastrukturor vendor. Fondacioni ka mundësuar këshillim ligjor falas për 100 viktima të dhunës në familje. Ai ka ndihmuar edhe qeverinë duke paguar për një sistem të ri të regjistrimeve digjitale për sistemin e shëndetësisë kombëtare dhe ka financuar website-in e ministries së drejtësisë së vendit.

Fondacioni Shoqëria e Hapur Maqedoni ka ndihmuar në trajnimin e më shumë se 2000 mësuesve për të përdorur metodologji mësimore ndërvepruese dhe ka paguar për rinovimin dhe pajisjen e amfiteatërve, korridorëve, tualeteve, bibliotekat multimedia, dhe klasat në tetë fakultete të trajnimit të arsimtarëve në katër universitete shtetërore. Gjatë krizës ekonomike të 2009 deri në 2011, ajo përdori fonde emergjence për tu paguar 1.9 milion dollarë organizatave që u mësonin fermerëve dhe biznesmenëve të biznesit të vogël menaxhim financiar që të mund ta mbanin gjallë aktivitetin e tyre.

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë ka shpenzuar më shumë se 57 milion dollarë për të ndërtuar 275 shkolla dhe kopshte kudo në vend.

Shtatëdhjetë përqind e popullsisë ka përfituar nga këto shkolla, dhe fëmijët vazhdojnë të edukohen në to. Programi i internetit nga Open Society e bëri Shqipërinë të hapur ndaj botës së jashtme, duke vendosur antenën e parë të internetit në vend në 1997 dhe duke ndihmuar për shërbimet online falas në biblioteka, universitete dhe OJQ.

Fondacionet “Shoqëria e Hapur” krenohen me trasparencën dhe mospërfshirjen e tyre politike.  Ne avancojmë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore për afatin kohëgjatë, pavarësisht nga drejtuesit politikë të kohës. Nëse drejtuesit me tendenca autoritare ndalojnë mbështetjen nga ana e OJQ-ve të guximshme që i vënë ato në dyshim, aktivistët do të ishin gjithmonë e më tepër të pambrojtur ndaj ngacmimit, përfrikësimit dhe dhunës. Bota do të bëhej më pak e qëndrueshme.

Sekretari i Shtetit duhet të mendohet gjatë para se të dali pas angazhimeve politike ndërkombëtare të Amerikës. Braktisja e tyre do ta conte vendin, dhe botën, në një drejtim tjetër dhe mjaft të errët.  –

Balkan Conspiracy Theories Come to Capitol Hill

Senati amerikan ratifikon anëtarësimin e Malit të Zi në NATO

Senati amerikan mbështeti me shumicë votash anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me shpresë se ka dërguar një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara do t’u kundërvihen përpjekjeve të Rusisë për të shtuar ndikimin e saj në Evropë.

Nëntëdhjeteshtatë senatorë votuan në favor të anëtarësimit të Malit të Zi, ndërsa dy ishin kundër. Ratifikimi kërkonte dy të tretat e votave të 100 anëtarëve të senatit.

Ende nuk dihet se kur mund të pritet nënshkrimi i presidentit Donald Trump, që është hapi i fundit për ratifikimin e anëtarësimit nga Shtetet e Bashkuara.

Administrata e presidentit Trump e ka mbështetur anëtarësimin e vendit të vogël ballkanik, ndonëse gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, presidenti Trump kishte akuzuar anëtarët e NATO-s se kishin dështuar të paguanin detyrimet e tyre. Por, si president ai kishte premtuar mbështetje për aleancën.

Më herët gjatë këtij muaji, sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, i dërgoi një letër senatit që të miratojë traktatin para takimit të lartë të NATO-s në muajin maj, në të cilin do të marrin pjesë presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare.

“Pjesëmarrja e Malit të Zi në takimin e NATO-s si anëtar i plotë dhe jo si vëzhgues, do të dërgonte mesazhin e fuqishëm për unitetin transatlantik dhe që asnjë palë e tretë nuk mund të ketë fuqinë e vetos mbi vendimet e NATO-s.” shkruante sekretari Tillerson. Sipas tij, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, do të përcaktonte një kufi të ngjeshur të NATO-s, përgjatë bregut të Detit Adriatik.

“Kjo është më shumë se sa çështja e anëtarësimit apo jo të një kombi me 650 mijë banorë”, tha kryetari i komitetit për forcat e armatosura, republikani John McCain nga Arizona. ” Kjo është një provë në këtë garë në të cilën jemi përfshirë me presidentin rus, Vladimir Putin”, tha ai

“Mali i Zi po përpiqet të bëjë tërë atë që Putini e urren”, tha republikani nga Karolina e Jugut Lindsey Graham. “Aleancat e demokracisë janë makthi i tij më i keq”.

“Miratimi do të përmirësonte sigurinë. Ai do të forconte aleancën dhe do të dërgonte një mesazh të vendosur tek Rusia”, tha senatori demokrat nga Maryland Ben Cardin.

Vetëm dy vota kundër ishin nga senatorët republikanë Rand Paul dhe Mike Lee, të cilët edhe kishin vonuar votimin.

Senatori Paul kishte vënë në pikëpyetje maturinë e një akti që zemëron Rusinë, ndërsa theksoi se taksapaguesit amerikanë nuk duhet të dëtyrohen të paguajnë nëse Mali i Zi sulmohet.

Mali i Zi është në mes të përplasjeve ndërmjet perëndimi dhe Rusisë mbi ndikimin në Ballkan. Rezultati mund të përcaktojë orientimin e rajonit: drejt NATO-s e Bashkimit Evropian apo prapa në sferën ruse të ndikimit. Rusia kundërshton zgjerimin e NATO-s në Ballkan.

Anëtarësimi i Malit të Zi duhet të ratifikohet nga 28 vendet anëtare të NATO-s para bashkimit formal të tij në aleancë, Vetëm tri vende anëtare nuk e kanë përmbyllur miratimin.

Nunes nuk tërhiqet nga hetimi i ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje

Kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Devin Nunes, tha se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga hetimet që po bën komisioni rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

“Gjithçka këtu është politike. Njerëzit thonë shumë gjëra dhe është politikë”, u tha zoti Nunes gazetarëve, menjëherë pasi kolegu i tij demokrat Adam Schiff qarkulloi një deklaratë ku kërkohej tërheqja e zotit Nunes.

“Ky nuk është një rekomandim që e bëj me lehtësi, pasi me Kryetarin kemi bashkëpunuar për disa vjet”, shkruante zoti Schiff. Ai shtoi se do të ishte e vështirë për publikun të ruajë besimin tek hetimi, nëse “nuk do të kishte hetim dhe mbikqyrje objektive nga kryetari”.

Sipas zëdhënësit të tij, zoti Nunes u takua në hapësirat e Shtëpisë së Bardhë me një person që dispononte materiale ku tregohej se Presidenti Donald Trump ishte përfshirë në një përgjim të rastësishëm. Zëdhënësi u tha gazetarëve se zoti Nunes shkoi në Shtëpinë e Bardhë pasi donte të ishte pranë një vendndodhjeje të sigurtë, ku mund të shikonte provat e paraqitura nga personi që takoi. Më parë, zoti Nunes nuk pati treguar se ku e kishte takuar personin dhe ende nuk ka bërë të njohur identitetin e tij.

SHBA: Administrata Trump nuk mbështet veprimet e PD

Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklarojnë se asnjë prej çështjeve të mprehta të aktualitetit politik në vend nuk duhet të jetë shfajësim për bojkotin e Parlamentit, bllokimin e zgjedhjeve dhe Reformës në Drejtësi.

Në përgjigje të interesimit të Top Channel, ambasada amerikane në Tiranë tha se administrata e Trump nuk e mbështet protestën e Partisë Demokratike. SHBA apelon për dialog mes palëve.

Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lulzim Basha ka deklaruar se ka marrë mbështetje për kauzën e opozitës, gjatë takimeve me zyrtare të administratës se Presidentit Trump si edhe me senatorë e kongresmenë.

Top Channel iu drejtua ambasadës së Shteteve të Bashkuara ne në Tiranë dhe e pyeti se në çadër zoti Basha duket se pretendon se ka mbështetjen e administratës Trump për protestën e PD. A është kjo e vërtetë?

Përgjigjja e një prej zëdhënësve të Ambasadës ishte kjo: “Jo. Qeveria e Shteteve te Bashkuara mbështet zgjedhje të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve, por këto çështje nuk duhet të përdoren si shfajësime për të bojkotuar Parlamentin, për të bllokuar zgjedhjet, apo për të vonuar zbatimin e reformës së gjyqësorit. Nxisim dialogun midis qeverisë dhe opozitës për t’i zgjidhur këto”.

Kushner do të dëshmojë në Senat mbi takimet me zyrtarë rusë

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se një nga këshilltarët kyç të presidentit, njëkohësisht bashkëshorti i vajzës së tij, Jared Kushner ka rënë dakort të dëshmojë para komisionit të Senatit lidhur me akuzat për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Zoti Kushner është këshilltari më i ngushtë i zotit Trump që do të merret në pyetje deri tani nga komisioni i zbulimit të senatit që po heton rreth lidhjeve të mundshme mes bashkëpunëtorëve të presidentit me zyrtarë rusë.

Komisioni kërkon të dijë më shumë lidhur me dy takime të zotit Kushner në dhjetor me ambasadorin e Rusisë në Washington Sergej Kislyak, sipas një lajmi të publikuar fillimisht në gazetën “New York Times”.

Sipas gazetës senatorët janë gjithashtu të interesuar mbi takimet e paraportuara nga zoti Kushner me kreun e një banke shtetërore ruse ndaj të cilës Shtetet e Bashkuara kishin vendosur sanksione lidhur me ngjarjet që çuan në aneksimin e Krimesë nga Moska në 2014.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i tha gazetës se takimet e zotit Kushner nuk ishin të pazakonta, duke vënë në dukje se roli i tij gjatë fushatës dhe periudhës së tranzicionin i bënin të nevojshme, siç tha zëdhënësi, takimet me zyrtarë të huaj, duke përfshirë edhe ata rusë.

Reforma e taksave, beteja tjetër e administratës Trump

Presidenti amerikan Donald Trump po e kthen vëmendjen tek reforma e taksave, pas dështimit të përpjekjes për të shfuqizuar dhe zëvendësuar planin për reformën e shëndetësisë.

“Do të thoja që ndoshta do të fillojmë me përpjekje intensive për shkurtime të thella dhe reformë në taksa. Ky do të jetë hapi i mëtejshëm”, tha zoti Trump të premten në Shtëpinë e Bardhë pasi republikanët tërhoqën legjislacionin për të zëvendësuar Ligjin pët Kujdes Shëndetësor të Përballueshëm, ose siç njihet nga shume vetë, Obamacare.

Më herët të premten. Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha gjatë një interviste se kishte dy muaj që punonte me projekt-ligjin për reformën në taksa.

Ai tha se paketa do të përfshinte propozime për shkurtimin e taksave për individët dhe korporatat.

“Fokusi ynë kryesor është të shkurtojmë taksat për klasën e mesme, jo për më të pasurit”, tha ai.

McCain: Jam shumë i shqetësuar për konfrontim të mundshëm në Ballkan

Senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kryetar i Komisionit të Senatit për Forca të Armatosura John McCain, tha sot se është shumë e shqetësuar për “tensionet, rivalitetet dhe konfrontimin e mundshëm në Ballkan”.
Ai njoftoi, se javën e ardhshme Shtetet e Bashkuara do të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

“Kjo kërkon vëmendjen e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe të gjithë aleatëve që përpiqen të parandalojnë disa nga këto kriza që kërcënojnë Ballkanin”, tha McCain.

Republikanët tërheqin nga votimi projektligjin për shëndetësinë

Shtëpia e Bardhë i kërkoi Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan ta tërheqë Projektligjin për Kujdesin Shëndetësor kur u duk qartë se projekti nuk do të merrte votat e duhura në Dhomën e Përfaqësuesve.

Projektligji, një provë e rëndësishme për Presidentin Donald Trump, tërhiqet pas një debati mjaft intensiv mes ligjvënësve në Uashington.

Presidenti Trump tha se ai ia hidhte fajin demokratëve dhe jo zotit Ryan për faktin që projekti nuk siguroi dot shanset për miratimin në Kongres.

Projektligji i ri ngjalli mjaft polemika në Uashington dhe u kundërshtua fuqimisht nga një pjesë e republikanëve në Kongres.

Gjatë disa ditëve, Presidenti Trump u bëri trysni republikanëve që ta votonin ligjin e ri në formën ekzistuese.

Në një postim në Twitter presidenti vinte në shënjestër krahun më konservator të republikanëve, duke nënvizuar se votimi i planifikuar për të premten ishte shansi i tyre i fundit për të zëvendësuar ligjin për kujdesin shëndetësor me atë të ish-Presidentit Barack Obama.

Trumpi i jep dritën jeshile naftësjellësit Keystone XL

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për të ecur përpara me projektin Keystone XL më 24 janar, 2017

 

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, i dha leje kompanisë energjetike TransCanada të ndërtojë naftësjellësin Keystone XL.

Departamenti i Shtetit tha se projekti, i cili është bllokuar nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama, është në interesin kombëtar të SHBA-së.

Tubacioni prej 1,900 kilometrash do të bartë naftën nga Kanadaja në rafineritë në bregdetin e Teksasit.

Leja është nënshkruar nga nënsekretari i shtetit për çështje politike, Tom Shannon.

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, duke kundërshtuar projektin në vitin 2015, ka thënë se ai as nuk do ta nxisë rritjen ekonomike, as nuk do ta ndihmojë SHBA-në të arrijë pavarësinë energjetike.

Grupet mjedisore po ashtu kanë kritikuar projektin.

Tubacioni pritet të bartë mbi 800,000 fuçi naftë të papërpunuar në ditë, nga provinca Alberta e Kanadasë në Gjirin e Meksikës.

SHBA forcon kontrollin për aplikantët e vizave

Departamenti amerikan i Shtetit u ka kërkuar ambasadave dhe konsullatave amerikane në botë të identifikojnë grupe të caktuara që duhet t’i nënshtrohen një analize më të hollësishme kur kërkojnë vizë.

Direktiva instrukton misionet diplomatike amerikane të kontrollojnë postimet e aplikantëve në median sociale, në rastet kur ata dyshohen për lidhje terroriste apo për udhëtime që mund të kenë bërë në zona të kontrolluara nga ISIS.

Direktivat që Sekretari i Shtetit Rex Tillerson u dërgoi ambasadave instruktojnë personelin diplomatik të krijojë grupe pune me specialistë zbulimi dhe sigurie, të cilët të hartojnë “një listë me kritere ku identifikohen grupe të popullatës në vendin ku ndodhet ambasada përkatëse”, për të cilat kërkohen kontrolle shtesë të biografisë.

Edhe në rastet kur aplikanti i përmbush kushtet për të marrë vizë, në rast se ai individ është brenda kategorisë që kërkon kontroll më të imtësishëm, rasti i tij do t’i nënshtrohet analizës shtesë, ose personit mund t’i mohohet viza.

Ky udhëzim është dëshmia e parë e “vetingut ekstrem” të shtetasve të huaj që vijnë në Shtetet e Bashkuara, një politikë që Donald Trump premtoi gjatë fushatës se do ta vinte në zbatim.

Zyrtarët e ambasadës duhet tani të analizojnë imtësisht një numër më të madh aplikantësh për të parë nëse përbëjnë rrezik për SHBA, siç del nga udhëzimet dërguar ambasadave nga 10-17 mars.

Direktiva, që fillimisht u bë e njohur nga Reuters, u kritikua nga grupe të të drejtave të njeriut dhe të tjerë, të cilët e kanë akuzuar Presidentin Trump për diskriminim kundër myslimanëve pas urdhrit për të ndaluar udhëtarët nga gjashtë vende me shumicë myslimane. Për momentin urdhri është pezulluar nga gjykata.

Dje, organizata Amnesty International i bëri thirrje Departamentit të Shtetit të bëjë publike udhëzimet.

“Kjo masë mund të hapë rrugën për diskriminime në baza të origjinës etnike dhe besimit fetar,” tha organizata në një letër dërguar sekretarit të shtetit. “Ajo mund të shërbejë si pretekst për të mos lejuar individë të vijnë në SHBA, bazuar në bindjet dhe deklaratat e tyre pa dhunë. Kontrollet në median sociale, si dhe kërkesa që njerëzit të dorëzojnë fjalëkalimet për median sociale në kufirin e Shteteve të Bashkuara, kanë implikime të ndjeshme në të drejtat e privacisë dhe lirisë së shprehjes,” shkruan Amnesty International.

Presidenti Trump vazhdon t’iu përmbahet deklaratave të tij politike

Pas dy muajve të presidencës së tij, Presidenti Donald Trump vazhdon t’u përmbahet plotësisht deklaratave të tij politike, megjithëse zyrtarë të Uashingtonit, ekspertë dhe verifikues të fakteve thonë se ato nuk qëndrojnë.

Në një intervistë dje me revistën “Time”, zoti Trump refuzoi të tërheqë një sërë akuzash të pavërtetuara, ndër to edhe atë që ish-Presidenti Barack Obama përgjoi zyrat e tij në Kullën Trump në Nju Jork gjatë javëve përpara zgjedhjeve të nëntorit, apo se në zgjedhje votuan edhe 3 milionë emigrantë pa dokumenta, ose që myslimanë në Nju Xhersi kanë festuar për sulmet terroriste të vitit 2001 në Nju Jork.

Zoti Trump nuk ka provuar asnjë nga të tre pretendimet dhe shumë njerëz janë shprehur se ato janë thjesht të pavërteta.

“Jam person shumë instiktiv, por instiktet e mia rezultojnë të jenë të drejta”, tha zoti Trump. “Kur të gjithë thanë se unë nuk do t’i fitoja zgjedhjet, unë thashë se mund t’i fitoj.”

Në lidhje me akuzën për përgjimin, presidenti i 45-të i vendit tha: “Le të shohim çdo të ndodhë. Unë kam parashikuar shumë gjëra për të cilat u desh pak kohë të vërtetohen.”

Zoti Trump foli për revistën “Time”, ndërkohë që lajmi i ditës në Uashington ishin komentet e kryetarit republikan të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve Devin Nunes se këshilltarë të zotit Trump dhe ndoshta edhe vetë zoti Trump, ishin përfshirë rastësisht në një përgjim të ligjshëm bisedash, ndërsa zoti Trump ishte në procesin e tranzicionit të pushtetit pas zgjedhjeve. Por nga ana tjetër, si zoti Nunes, apo drejtori i FBI-së James Comey dhe disa zyrtarë të sigurisë kombëtare kanë thënë se zoti Obama nuk e ka përgjuar zotin Trump.

Në lidhje me njoftimin e zotit Nunes për përgjimin, zoti Trump tha: “Ende nuk dihen shumë gjëra. Ai sapo e mori këtë informacion. Ky është informacion i ri, që zyrtarët ishin përgjuar nga administrata Obama pas zgjedhjeve të nëntorit. Kjo sapo u bë ditur.”

Pasi u takua më vonë me zotin Nunes, Presidenti tha se në një farë mënyre pretendimet e tij që është përgjuar nga zoti Obama po vërtetoheshin disi, ndonëse të dhënat e reja nuk përputhen me ato që ai shkroi përmes Twitter-it më 4 mars.

Ndërsa, në lidhje me 3 milionë votuesit e paligjshëm, zoti Trump tha: “Mendoj se do të dalë që kam të drejtë edhe për këtë. Njerëz të mitë thonë se ishin më shumë se aq. Po krijojmë një komision. Dhe do ta studiojmë këtë problem shumë serioz.”

Ai gjithashtu citoi një artikull të vitit 2001 në gazetën “The Washington Post”, në të cilin përmendej shkurtimisht një pretendim i paverifikuar se myslimanë kishin festuar në ditën e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, por policia në Nju Xhersi tha se nuk pati festime. Gjatë fushatës elektorale, zoti Trump pati pretenduar gabimisht se një gjë të tillë e kishte parë në televizion.

Krahas fitores së tij, zoti Trump tha se ka parashikuar saktë, ndër të tjera, daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, trazirat mes emigrantëve në Suedi dhe, se email-et e rivales demokrate, ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton, do të gjendeshin në kompjuterat e një kongresmeni, ish-bashkëshort i një ndihmëseje të zonjës Clinton.

Për raste të tjera, zoti Trump tha se ai më tepër ka përcjellë pretendime të paqarta të shfaqura në botime që ai lexon ose dëgjon, si p.sh. pretendimi se babai i Senatorit Ted Cruz, rivali kryesor i zotit Trump gjatë garës së vjetshme për nominimin republikan, ishte mik i Lee Harvey Oswald-it, personit që vrau Presidentin John F. Kennedy në vitin 1963.

“Pse më thonë se duhet të kërkoj ndjesë?”, pyeti zoti Trump. “Unë vetëm citoj gazetën”.

I pyetur nëse shqetësohet se i dëmtohet besueshmëria me këto pretendime false, zoti Trump u përgjigj: “Ju lutem më thoni çfarë është gabim!”

“Çfarë t’ju them?”, përfundon zoti Trump. “Zakonisht kam të drejtë. Jam një person instiktiv. Ka qëlluar të jem një person që e di se si funksionojnë gjërat në jetë.”

Trumpi vendos rregulla të reja: Statuset në “Facebook” apo “Twitter” mund t’ju lënë pa vizë amerikane

Tashmë për një vizë drejt SHBA do të kontrollohen edhe rrjetet sociale. Urdhrat diplomatikë që janë dërguar javën e fundit nga sekretari i shtetit Rex Tillerson për të gjitha ambasadat amerikane i jepen instruksione konsullatave që të rrisin kontrollet e tyre. Në radhë të parë kërkohet ‘verifikim ekstrem’, një gjë që Trump e kishte kërkuar gjatë fushatës presidenciale. Rregullat shtesë do të kërkojnë nga aplikantët për të kaluarën e tyre, do t’i bëhet një kontroll në historinë e tyre të rrjeteve sociale si dhe të shikohet nëse ata kanë kaluar ndonjëherë në ndonjë territor që kontrollohet nga Shteti Islamik.

Rregullat e reja nuk do të aplikohen vetëm për 38 vende  ku përfshihen shumica e vendeve evropiane dhe aleatëve si Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja e Jugut, qytetarët e të cilëve mund të marrin viza me procedurë të shpejt nëpër mes programit për heqjen e vizave. Asnjë vend nga Lindja e Mesme apo Afrika s’do të jenë pjesë e këtij programi. Më 2016, SHBA kishte lëshuar më shumë se 10 milion viza për vizitorët e huaj, por për vitin 2017 administrata e Trump do ta bëj edhe më vështirë hyrjen e miliona vizitorëve në Amerikë pasi që do të kërkojë nga ta kontrolle të reja sigurie për të dhënë viza turistike, biznesi apo për vizita të të afërmve.

SHBA: Senati do të votojë javën e ardhshme për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell

Senati i Shteteve të Bashkuara javën e ardhshme do të votojë për propozimin që Mali i Zi të bëhet anëtari më i ri i aleancës së NATO-s, ka thënë lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell.

Vendimi për të shkuar në votim erdhi pasi administrata e Trumpit u bëri thirrje ligjvënësve që të lëvizin më shpejt për këtë çështje.

Agjencia Reuters më 21 mars raportoi se Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u kishte shkruar letër udhëheqësve të Senatit, duke thënë se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte “fuqishëm në interes të Shteteve të Bashkuara”.

Të gjithë 28 anëtarët e NATO-s, duhet të ratifikojnë pranimin e Malit të Zi, përpara se vendi zyrtarisht t’i bashkohet aleancës. Deri më tani vetëm katër shtete nuk kanë miratuar pranimin e Malit të Zi.

Votimi në Senatin amerikan ishte bllokuar për muaj të tërë nga dy seantorë republikanë, Rand Paul dhe Mike Lee, të cilët kundërshtojnë zgjerimin e aleancës ushtarake.

McConnell më 23 mars ka njoftuar se ai do të caktojë që votimi procedural për këtë çështje të bëhet më 27 mars në Senat.

Ndihmësit në Senat thonë se presin që kur pengesat procedurale të jenë tejkaluar, Senati do të miratojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Dhoma e Përfaqësuesve shtyn votimin për shfuqizimin e “Obamacare”

Burime të udhëheqësve republikanë në Kongres thanë se të enjten Dhoma e Përfaqësuesve e ka shtyrë votimin për shfuqizimin dhe zëvendësimin e ligjit për shërbimin shëndetësor, që njihet si “Obamacare”.

Burime të paidentifikuara komentuan të enjten me disa media amerikane, vetëm disa orë para votimit të pritshëm.

Anëtarë të bllokut të ekstremit të djathtë të Dhomës së Përfaqësuesve, të njohur si “Komiteti i lirisë” , thanë pas takimit me Presidentin Donald Trump, se nuk kanë arritur marrëveshje lidhur me shfuqizimin e programit “Obamacare”.

Ligjvënësi Mark Meadows, kryetar i “Komiteti i lirisë”, konfirmoi se grupi i tij dhe presidenti nuk kishin arritur marrëveshje për këtë çështje.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë pati një interpretim të ndryshëm lidhur me bisedimet me konservatorët në Kongres, duke bërë një deklaratë, ku thuhej se të dyja palët kishin ndërmarrë “një hap pozitiv” drejt shfuqizimit së ligjit për kujdesin shëndetësor.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, i tha gazetarëve se shumë ligjvënës kishin lënë të kuptohet se do të votojnë për shfuqizimin e Obamacare. Por, ai shtoi se “në fund të fundit, ne nuk mund t’i detyrojmë njerëzit të votojnë.”

Dukshëm kjo çështje ka përçarë partinë republikane dhe presidenti Trump si dhe udhëheqësit republikanë në Kongres po përpiqen të gjejnë votat e mjaftueshme për shfuqizimin e kujdesit shëndetësor të miratuar nga administrata e presidentit Obama dhe për ta zëvendësuar atë me një sistem të ri shëndetësor.

“Shfuqizimi dhe zëvendësimi”, ashtu siç shprehen republikanët, i planit të presidentit Obama, ishte një nga premtimet dhe temat krysore mbi të cilën u bazua fushata e presidentit Trump dhe e republikanëve. Por sot që pritet votimi në Kongres, republikanët deri tani duket se nuk i kanë votat e mjaftueshme. Ndërsa ata janë të bashkuar për ta shfuqizuar sistemin e kujdesit shëndetësor të presidentit Obama, ata janë të përçarë përsa i përket sistemit të ri me të cilin do ta zëvëndësojnë atë. Ndarjet më të mëdha janë mes republikanëve konservatorë, që thonë se ligji i ri nuk bën shkurtime sa duhet dhe republikanëve më të moderuar që thonë se shkurtimet e parashikuar janë shumë të thella.

Para disa ditësh presidenti Trump i paralajmëroi ligjvensësit republikanpë që ende hezitojnë se në se ata nuk votojnë për ta shfuqizuar Obamacare, kjo do t’i zemëronte zgjedhësit dhe mund t’u kushtonte ligjvënësve vendet e tyre në Kongres, në zgjedhjet e 2018. Ligji i ri në se kalon në Dhomën e Përfqësuesve duhet të miratohet edhe nga Senati, ku fati i tij është po ashtu i i pasigurt.

Zoti Trump dhe republikanët e kanë kundërshtuar prej kohësh programin 7 vjeçar të ish presidentit Obama për shëndetsinë. Programi ka rritur me 20 milionë numrin e amerikanë të siguruar, por republikanët pretendojnë se në formën e tanishme pagesat për të do të rriten aq shumë sa do të bëhen të papërballueshme.

Zyra e pavarur e buxhetit në Kongres arriti në përfundimin se 24 milionë amerikanë do të humbasin sigurimin shëndetësor gjatë dekadës së ardhshme, nëse miratohet plani republikan. Presidenti Trump dhe udhëheqësit republikanë mbrojnë fort argumentin se plani i tyre, ndryshe nga “Obamacare”, do t’u japë njerëzve mundësinë të blejnë një plan që mbulon nevojat e tyre dhe që ata mund t’a përballojnë financiarisht.

Sot paradite, ish presidenti Obama përmes një deklarate u bëri thirrje ligjvenësve të mos miratojnë ndryshime që nuk do ta përmirësonin sistemit e kujdesit shëndetësor për amerikanët. Në se republikanët duan t’i bëjnë përmirësime sistemit aktual, thotë ish presidenti, ata mund të negociojnë me demokratët dhe të miratojnë ndryshimet përkatëse.

Gjenerali i NATO-s thotë se Rusia mund të jetë duke furnizuar talibanët

Një komandant i lartë i NATO-s, ka thënë se Rusia mund të jetë duke i ndihmuar me furnizim militantët talibanë, të cilët po luftojnë kundër forcave qeveritare që mbështeten nga SHBA-ja.

Gjenerali i ushtrisë amerikane, Curtis Scaparrotti, i ka thënë Komitetit për Shërbim të Armatosur të Senatit amerikan, se ai ka parë të dhëna që dëshmojnë rritjen e përpjekjeve të Rusisë për të ndikuar te talibanët dhe “ndoshta furnizon” grupin militant.

Scaparrotti nuk ka specifikuar se për çfarë lloji të furnizimit ai mendonte se Rusia mund të jetë duke iu siguruar talibanëve.

Zyrtarët rusë kanë mohuar se ndihmojnë talibanët.

Zyrtarët talibanë i kanë thënë Reuters se kanë pasur kontakte të rëndësishëm me Moskës që prej vitit 2007, por kanë thënë se përfshirja e Rusisë nuk shkon përtej “mbështetjes morale dhe politike”.

Komisioni i Zbulimit i Kongresit takim me dyer të mbyllura

Komisioni i Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan u mblodh sot pas dyerve të mbyllura, një ditë pas konfuzionit të krijuar lidhur me hetimet rreth akuzave të Presidentit Donald Trump se ai ka qenë përgjuar nga paraardhësi i tij, ish-presidenti Barack Obama.

Kongresmeni republikan Devin Nunes, kryetar i komisionit, i doli në mbrojtje deklaratave të bëra dje se bisedat e përgjuara në mënyrë të ligjshme të agjentëve të huaj, të cilët flisnin me zyrtarë të fushatës së zotit Trump pas zgjedhjeve të nëntorit, por para inaugurimit të tij, kishin çuar në interceptim rastësor të komenteve të bëra nga ndihmësit e zotit Trump, dhe ndoshta nga vetë zoti Trump.

Kongresmeni Nunes foli me gazetarët dhe me vetë presidentin në lidhje me këto materiale, pa informuar asnjërin prej 21 anëtarëve të Komisionit.

Zoti Nunes tha se dhënia e informacioneve shpjeguese dhe një takim që ai pati më vonë me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë ishte thjesht një gjykim i tij personal.

Pas seancës me anëtarët e tjerë të Komisionit, zoti Nunes kërkoi ndjesë për nxjerrjen e informacionit në mënyrë të njëanshme.

Kreu i FBI-së James Comey ka thënë se nuk ka asnjë informacion që mbështet akuzat e zotit Trump në Twitter se ish-Presidenti Obama ka përgjuar kullën Trump në javët para zgjedhjeve të nëntorit.

Kongresmeni Eliot l. Engel fjalim të fuqishëm në Kongresin amerikan mbi politikën amerikane ndaj Kosovës Nga Frank Shkreli

Përfaqsuesi demokrat në Kongresin amerikan, njëherazi edhe nën-Kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve për Politikën e Jashtme dhe njohës i mirë i çështjeve shqiptare në Ballkan, Eliot Engel mbajti të mërkurën një fjalim mbi politikën e Shteteve të Bashkuara karshi Republikës së Kosovës.

Fillimisht, miku i njohur i shqiptarëve numëroi ato që ai tha se janë suksese dhe arritje të viteve të fundit të shtetit më të ri në Evropë, duke përfshirë ndër të tjera medaljen e parë të artë olimpike të Kosovës, mbajtjen e konferencave me rëndësi ndërkombëtare mbi bashkpunimin dhe tolerancën në fushën fetare atje, antarësimin e Kosovës në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në ente të tjera botërore, si dhe njohjen diplomatike deri tashti të pavarësisë së Kosovës nga më shumë se 110 shtete të botës.   Ai theksoi në fjalimin e tij në Dhomën e Përfaqsuesve, se këto janë vetëm disa prej arrijtjeve të deri tanishme të shtetit të ri të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndër të parat shtete që kanë njohur më së pari pavarësinë e Kosovës dhe sot jemi mbështetsi më i fortë i saj dhe me të drejtë”, nënvijoi kongresmeni Engel.  Së pari, Kosovën e njohu si shtet të pavarur  Presidenti Xhorxh Bush dhe marëdhëniet vazhduan të forcoheshin gjatë administratës së Presidentit Barack Obama. Si përfundim, Republika e Kosovës, theksoi ai, krenarisht e konsideron veten si mbështetsja më e fortë e Shteteve të Bashkuara në Evropë.

Mirëpo, Zoti Eliot Engel nënvijoi se kjo nuk do të thotë se Kosova është një vend i përsosur në çdo pikëpamje. “As ne nuk jemi një vend i përsosur”, u shpreh ligjvensi amerikan, por “Korrupsioni në Kosovë duhet të luftohet dhe reforma në drejtësi po zhvillohet me një ritëm tepër të ngadalëshëm, ndërkohë që përqindja zyrtare e papunësisë sillet diku rreth 30 për qind. Si rrjedhim, është e qartë se në Kosovë mbetet shumë për tu bërë”, deklaroi njëri prej mbështetsve më të mëdhej të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithsi, në Kongresin amerikan.

Por, në fjalimin e tij mjaft të gjatë, Zoti Engel iu këthye përsëri optimizmit të tij mbi të ardhmen e Kosovës, duke thënë se nga vizitat e shumëta që i ka bërë atij vendi gjatë viteve, ai ka parë secilën herë përparimin e bërë atje, duke thënë se “Jam i bindur për të ardhmen e shkëlqyer të Kosovës.”  Ai u shpreh se siç e ka thënë shpesh herë, se kurdo që udhtojë nepër botë si shtetas amerikan, askund nuk më presin me më shumë dashuri e miqësi se ç’është rasti kur vizitoj Kosovën. “Njerëzit në Kosovë”, shtoi ai, “me të vërtetë i duan amerikanët dhe çdo gjë amerikane”.

Ai iu drejtua Dhomës së Përfaqsuesve të Shteteteve të Bashkuara duke thënë se në këtë moment, “Mënyra më e mirë për të ndihmuar Republikën e Kosovës është me mbështetje të fortë, ashtu siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara gjatë viteve”.  Por, ai tha se ekzistojnë pengesa të mëdha ndaj zhvillimit normal të Kosovës, shumica e të cilave vijnë nga jashtë kufijve të Kosovës.   Ai tha se Kosova dëshiron, ashtu si të gjitha vendet e rajonit, të bëhet pjesë e një Evrope të sigurt e të integruar, me antarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.  Si shëmbull i këtyre pengesave nga jashtë, ligjvensi amerikan përmendi mos njohjen e shtetit të Kosovës nga “Pesë vende evropiane dhe bllokimin e antarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve Bashkuara nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia”, u shpreh ai.

“Në fakt, Serbia po përpiqet të bllokojë Kosovën në çdo rast dhe kohët e fundit ka shtuar tensionet” në rajon u kujtoi ai kolegëve të tij.  Si masa tensioni të mbsëhtetura nga Serbia, ligjvensi amerikan Eliot Engel përmendi trenin propagandistik të mbishkruar në 21 gjuhë të huaja me fjalët, “Kosova është Serbi”, me qëllim për të shkaktuar trazira në radhët e popullsisë së vogël serbe në Kosovë — dhe ndërtimin e murit famëkeq në Mitrovicë.  Për më tepër, “Serbia, vazhdon tu mohojë drejtësinë familjeve shqiptare të qindra viktimave si rezultat i fushatës serbe të spastrimit etnik kundër shqiptarëve, përfshirë rastin e tre vëllëzërve Bytyqi, shtetas amerikanë”, theksoi Z. Engel.  Ai përmendi gjithashtu edhe urdhër arrestin e Interpolit serb për Ramush Haradinaj, i cili u arrestua nga autoritetet franceze, por i cili është gjetur dy herë i pafajshëm nga tribunali ndërkombëtar, theksoi Engel.  Franca, tha ai, “Duhet ta lejojë Ramush Haradinajn të këthehet në Atdhe. Mjaft është mjaftë”, deklaroi kongresmeni amerikan para Kongresit.

Në vijim, ai shprehu dyshimin e të ashtuquajturit sukses të bisedimeve, midis Beogradit e Prishtinës, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, duke thënë se “Serbia po pengon integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe se kësaj duhet t’i thuhet stop njëherë e mirë!”  Në fjalimin e tij, Zoti Engel iu drejtua kolegëve ligjvenës në Kongres duke thënë se, “Ju mund të habiteni të mësoni se pas 9 vjetësh si shtet i lirë e i pavarur, Kosova ende nuk ka një ushtri të vetën.  Pra, një shtet i pavarur e sovran, pa ushtri!  Kosova”, tha ai, “ka një Forcë Sigurie, por asgjë në krahasim me forcat e mëdha të armatosura serbe dhe të furnizuara mirë nga Rusia”, në kufirin e saj.  Ai theksoi se është aburd fakti që Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin, tani për tani, themelimin e një ushtrie të shtetit të Kosovës.   Është një qëndrim që duhet të ndryshojë sa më parë nga ana e Washingtonit, pasi armët dhe furnizimet ruse vazhdojnë të dërgohen pa pengesë në Serbi, me miratimin e Vladimir Putinit.

Megjithëtë, Eliot Engel theksoi se marrëdhëniet e Amerikës me Kosovën janë të forta dhe e ardhmja e tyre është e shkëlqyeshme.  Duhet të qëndrojmë dhe të vazhdojmë në këtë rrugë, ka thënë ai.  “Si shtet i ri”, Kosova nënvijoi ai, “ka nevojë për ndihmë. Ne e dimë më mirë se çdo kush se sa e vështirë është të ndërtohet demokracia, nganjëherë haset në pengesa e herë të tjera është e mevojshme ndihma”, u shpreh ai para Kongresit.   Z. Engel nevijoi se mbështetja amerikane për Kosovën tani, është më e rëndësishme se kurrë më parë.   Kjo është arsyeja, theksoi miku i shqiptarëve në Kongresin amerikan, që Shtetet e Bashkuara të punojnë për thellimin e marrëdhënieve tona, të shtojmë mirëkuptimin dhe të vazhdojmë të mbështesim stabilitetin anë e mbanë gadishullit ballkanik.  “Kjo është mënyra e vetme për të garantuar një Kosovë më të begatshme, më demokratike dhe multi-etnike dhe kjo është mënyra që Shtetet e Bashkuara të krijojnë gjtihashtu edhe një rajon të lirë dhe në paqë në Ballkan, si pjesë e një Evrope të bashkuar.

Në fund të fjalimit, Elot Engel u bëri thirrje Shteteve të Bashkuar që të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës si shtet i lirë e i pavarur.  Për shumë vite, shtoi ai, popullit të Kosovës u ishin mbushur veshët me gënjeshtra e propagandë kundër Shteteve të Bashkuara gjatë sundimit të regjimeve komuniste shekullin e kaluar, por ata nuk i kanë besuar kurrë ato rrena, tha Z. Engel. “Populli i Kosovës, pohoi ai, është mirënjohës për të gjitha ato që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për atë vend në të kaluarën.  Është një popull të cilin e dua për mik, për miq të tillë kemi nevojë”, u shpreh Engel.

Zoti Engel e përfundoi fjalimin e tij të mërkurën, në sallen e madhe të Dhomës së Përfaqsuesve, me një mesazh për popullin dhe qeverinë e Kosovës, duke deklaruar se “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë jush dhe do të jenë gjithmonë me ju”. Ndërsa iu drejtua qeverisë së Serbisë me këto fjalë: “Ne përkrahim aspiratat e popullit serb për antarësim në Bashkimin Evropian, por Serbia duhet të ndalojë menjëherë masat që ka ndërmarrë për bllokimin e antarësimit të Kosovës dhe të ndërpresi njëherë e mirë masat luftënxitëse kundër Republikës së Kosovës.” Të dy shtetet, tha në fund të fjalimit të tij Z. Engel, “duhet të antarësohen në Bashkimin Evropian dhe eventualisht në NATO, pa u penguar nga njëra tjetra.”

 

Më poshtë teskti i plotë i fjalimit të Z. Engel në anglisht:

https://democrats-foreignaffairs.house.gov/news/press-releases/engel-remarks-us-policy-toward-kosovo

Nunes: Komunikimet e ekipit Trump mund të jenë interceptuar

Kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Devin Nunes tha se komunikimet e ekipit të tranzicionit të Presidentit Donald Trump, ndoshta duke përfshirë edhe vetë presidentin, mund të jenë monitoruar si pjesë e një “interceptimi rastësor”.

Zoti Nunes u tha gazetarëve se komunikimet e monitoruara nuk duket të kenë lidhje me hetimin e tanishëm të FBI-së rreth kontakteve të bashkëpunëtorëve të zotit Trump me Rusinë. Ai tha se beson që interceptimi të jetë bërë në mënyrë të ligjshme.

Shtëpia e Bardhë tha se kongresmeni Nunes do të informonte Presidentin Trump për këtë çështje.

Mbetet e paqartë nëse komunikimet e vetë zotit Trump janë monitoruar. Zoti Nunes tha se kjo ishte diçka e mundur.

Nunes tha se informacioni për ekipin e zotit Trump ishte mbledhur në muajt nëntor, dhjetor dhe janar, periudha pas zgjedhjeve, gjatë së cilës ai zhvillonte telefonata me udhëheqësit e huaj, intervistonte kandidatët për sekretarë të kabinetit dhe po fillonte të përvijonte politikat e administratës.

Nunes tha se materiali i monitoruar ishte “përhapur gjerësisht” nëpër raportet e inteligjencës.

I pyetur nëse besonte se ekipi i tranzicionit ishte përgjuar, zoti Nunes tha se çdo gjë varet nga përkufizimi i fjalës “përgjoj”.

Kongresmeni nga Kalifornia nuk tha se si ishin interceptuar komunikimet e ekipit të zotit Trump. Agjencitë amerikane të zbulimit i monitorojnë rregullisht komunikimet e zyrtarëve të huaj.

Përgjimet ndonjëherë përfshijnë emrin e ndonjë shtetasi amerikan me të cilin ka qenë duke folur i huaji. Kur kjo ndodh, analistët e zbulimit e kanë për detyrë ta fshehin ose minimizojnë emrin, me përjashtim të rasteve kur kjo është e nevojshme për të kuptuar materialin e zbulimit të përfshirë në raport.

Zoti Nunes tha se emrat e bashkëpunëtorëve të zotit Trump u deklasifikuan pas interceptimit rastësor, por ai nuk i identifikoi personat për të cilët bëhej fjalë.

Kriza në Maqedoni sipas ekspertëve amerikanë

Dy vëzhgues të hershëm të zhvillimeve në Ballkan Edward Joseph dhe Januzs Bugajski analizojnë situatën e krijuar dhe paralajmërojnë për pasoja të rënda në se kriza nuk zgjidhet. Ata komentuan për korrespondentin e shërbimit maqedonas të Zërit të Amerikës, Jane Bojadzevski.

Eduard Joseph, ekspert për Ballkanin në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike mendon se kriza e tanishme politike në Maqedoni është artificiale, e panevojshme dhe është shkaktuar nga refuzimi i partisë VMRO-DPMNE për të pranuar të drejtën kushtetuese të një partie opozitare për të formuar qeverinë. Efekti i kësaj krize thotë eksperti është shumë i rëndë. Ai i quan thirrjet e ish kryeministrit Nikolla Gruevski që njerëzit të dalin në rrugë në mbrojtje të vendit të papërgjegjëshme dhe potencialisht të rrezikshme.

“Thirrjet për protesta në rrugë për të mbrojtur vendin, sikur vendi të ishte nën ndonjë lloj kërcënimi, kur ky nuk është gjë tjetër veçse një proces demokratik i një koalicioni tjetër qeverisës që ka hartuar një qeveri e që mund të drejtojë vendin, ta kundërshtosh këtë dhe të bësh këto thirrje për mbrojtjen e vendit, është e papërgjegjëshme dhe potencialisht e rëndë”.

Janush Bugajski, hulumtues në Qendrën për Analizat e Politikës së Jashme Evropiane thotë se Maqedonia është pranë një krize madhore. Ai e quan kërkesën e opozitës për të rifilluar punimet në parlament si të rëndësishme, por më e rëndësishme thotë ai, është formimi i një qeverie legjitime, të pranuar nga presidenti, sipas kushtetutës dhe në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve.

“Duket se situata është bllokuar. Kjo mund të çojë nga një krizë në një tjetër dhe mund të përkeqësohet shumë më shpejt nga sa mendohet”.

Për zotin Joseph, argumenti i shtruar nga presidenti i vendit për rrezikshmërinë që mund të vijë nga e ashtuquajtura platforma shqiptare është e padrejtë dhe e motivuar politikisht.

“Së pari kjo nuk është diçka e re, nuk ka qënë sekret dhe votuesit e kanë ditur. Së dyti, nocioni se ky është një farë rreziku nuk është i llogjikshëm – çdo qeveri maqedonase që nga pavarësia ka pasur parti shqiptare në përbërje. Partia Bashkimi Demokratik për Integrim ka qënë pjesë e qeverisë së Gruevskit megjithëse në një periudhë quhej grupim terrorist. Pra nocioni që kjo parti është e denjë për të qënë pjesë e qeverisë së Gruevskit, por është e padrejtë për një parti të opozitës të ketë në koalicion një parti shqiptare është e pallogjikshme”.

Janush Bugaski thotë se në se e sheh platformën shqiptare, kërkesat nuk janë aq larg nga Marrëveshja e Ohrit. Shumë shqiptarë, thotë ai nuk ishin të kënaqur me punën e koalicionit të mëparshëm qeveritar.

“Kjo nuk ka të bëjë aq shumë me të drejtën e gjuhës për mendimin tim sesa me premtimet ekonomike. Qeveria nuk ka favorizuar pjesën shqiptare të popullatës, duke e diskriminuar për interesat e saj, por këtu përfshihen edhe social-demokratët. Kjo është arsyeja përse edhe social-demokratët janë kundër performancës të qeverisë së mëparshme. Shumë shqiptarë votuan për opozitën maqedonase dhe jo për partitë shqiptare”.

Sipas zotit Bugajski, kriza politike mund të shoqërohet me konflikte të reja etnike.

Edward Joseph e sheh mundësinë e zgjedhjeve të reja të propozuar nga ish kryeministri Gruevski si të padrejtë dhe të pabazë. Në një sistem parlamentar thotë ai, shkaku për të patur zgjedhje të reja, është atëhere kur rezultatet e zgjedhjeve janë të tilla që nuk mund të çojnë në krijimin e një qeverie. Por në këtë rast thotë eksperti, është e qartë se ka një qeveri që mund të krijohet.

Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë mundësi ta zgjidhur krizën.

“Ambasada dhe ambasadori amerikan në Shkup duhet të jenë të palëkundur në zbatimin e parimeve demokratike, të kuptojnë çfarë implikimesh ka kjo situatë jo vetëm për Maqedoninë por për rajonin në gjërësi dhe mbarë Evropën”.

Sipas zotit Joseph, duhet një qëndrim i prerë kundër përpjekjeve të qeverisë për të shkatërruar procesin demokratik kur nuk ju pëlqejnë rezultatet e zgjedhjeve apo koalicioni i formuar në parlament.

Sipas zotit Bugajski, Shtetet e Bashkuara duhet të sjellin të dyja palët pranë dhe t’i paralajmërojnë se po rrezikojnë të ardhmen e vendit. Nga ana tjetër duhet të ketë një farë nxitje për anëtarësimin në Nato.

“Mendoj se kjo lojë është zgjatur shumë me Greqinë. Maqedonia duhet të ketë një të ardhme, duhet të ketë një vizion për çfarë është arritur dhe çfarë pritet të arrijë. Pa një vizion të tillë, mendoj se vendi do të zhytet në kaos”.

Ish-ndihmësi i Trumpit kishte propozuar plan për përfitime të Putinit

Paul Manafort

Agjencia Associated Press (AP) ka raportuar se Paul Manafort, ish-shef i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, në mënyrë sekrete kishte propozuar një strategji politike, me të cilën do të përfitonte presidenti rus, Vladimir Putin, dhe do të dëmtoheshin kundërshtarët e tij.

Duke cituar disa njerëz, të afërt me pagesat që i janë bërë Manafortit dhe shënimet biznesore që i ka siguruar, AP ka raportuar sot se ky biznesmen amerikan e kishte propozuar planin te pasaniku rus me lidhje në Kremlin, Oleg Deripaska, më herët se në qershor të vitit 2015.

Thuhet se ky plan synonte ndikime në polikë, marrëveshje biznesore dhe raportim gazetaresk në gjithë Shtetet e Bashkuara, në Evropë dhe në ish-Bashkimin Sovjetik, në mënyrat që do ta favorizonin Putinin.

Manafort, eventualisht e kishte nënshkruar kontratën në vlerë prej 10 milionë dollarësh me zotin Deripaska dhe kishte pasur marrëdhënie biznesore me të deri së paku në vitin 2009, raporton AP.

Ky raport duket se i kundërshton deklaratat e mëhershme të administratës Trump dhe vetë zotit Manafort, se ai kurrë nuk kishte punuar për interesa të Rusisë.

Manafort, i cili paraqiti dorëheqje në gusht të vitit 2016, pas akuzave për kontakte me zyrtarët e inteligjencës së Rusisë dhe për pagesa joligjore të ndërlidhura me punën e tij paraprake për partinë politike të ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovich, që kishte qëndrim miqësor ndaj Rusisë, ia ka konfirmuar AP-së se kishte punuar për zotin Deripaska.

Por, ai tha se kjo punë “nuk involvonte përfaqësim të interesave politike ruse” dhe në mënyrë jokorrekte ishte përshkruar si “i papërshtatshëm dhe djallëzor” në kuadër të “fushatës njollosëse” kundër tij.

Trumpi planifikon riafirmimin për “përkushtimin e fuqishëm” në samitin e NATO-s

Donald Trump në zyrën e tij në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan, Donald Trump, planifikon të marrë pjesë në samitin e NATO-s më 25 maj në Bruksel.

Në kumtesën e sotme, Shtëpia e Bardhë tha se Trump me kënaqësi e pret “takimin me kolegët e tij në NATO për ta riafirmuar përkushtimin tonë të fuqishëm për NATO”.

U tha se ai, po ashtu, planifikon të “diskutoj çështje kritike për aleancën, veçanërisht përgjegjësitë e përbashkëta të aleatëve dhe rolin e NATO-s në luftën kundër terrorizmit”.

Zoti Trump pat shkaktuar shqetësim gjatë fushatës presidenciale amemrikane pasi NATO-n e quajti të vjetëruar.

Prej asaj kohe, ai është shpehur se Shtetet e Bshkuara janë të përkushtuara për NATO-n, por ka bërë presion të fuqishëm që anëtarët e tjerë të aleancës ushtarake veri-atlantike me 28 anëtarë, t’i shtojnë shpenzimet, duke thënë se shumë prej tyre nuk po e paguajnë në mënyrë korrekte pjesën e tyre.

Në kumtesën e sotme, po ashtu, theksohet se Trump do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Shtëpinë e Bardhë, më 12 prill.

SHBA propozojnë një datë alternative për takimin e NATO-s

Departamenti Amerikan i Shtetit, tha të martën se Tillerson nuk do të mund të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s i cili do të mbahet në datat 5 dhe 6 prill në Bruksel

WASHINGTON – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë propozuar një datë alternative për takimin ministror të NATO-s, sepse siç kanë thënë, data e parë e njoftuar, nuk premton pjesëmarrjen e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson i cili ka një axhendë të ngjeshur, raporton Anadolu Agency (AA).

Departamenti Amerikan i Shtetit, tha të martën se Tillerson nuk do të mund të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s i cili do të mbahet në datat 5 dhe 6 prill në Bruksel.

Siç raportohet, Tillerson është paraparë të shoqërojë presidentin amerikan Donald Trump në takimin e tij me presidentin kinez Xi Jinping, që do të mbahet në Florida në datat 6 dhe 7 prill.

SHBA: Lëvizje për marrjen e shtetësisë së një operativisti të al-Kaidës

Pamje e urës Brooklyn Bridge në Nju Jork

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara kanë ndërmarrë një aksion të rrallë për ta tërhequr shtetësinë e një personi të dënuar në vitin 2003 për involvim në një komplot të al-Kaidës, për ta shkatërruar Urën Bruklin në Qytetin e Nju Jorkut.

Departamenti i drejtësisë para dy ditësh e ka filluar një proces civil për ta tërhequr vendimin për dhënien e shtetësisë amerikane për personin, Iyman Faris, i lindur në Pakistan, i cili është në vuajtje të dënimit me 20 vjet burg për mbështetje të organizatës terroriste.

Ai mund të lirohet në vitin 2020.

Departamenti amerikan i drejtësiës tha se Faris kishte gënjyer për ta marrë shtetësinë dhe në mënyrë mashtruese e ka shfrytëzuar pasaportën e një personi tjetër për të hyrë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1994.

“Zyra e imigrimit dhe çështjeve gjyqësore e Departamentit do të vazhdoj me procedurat për denaturalizim kundër terroristëve të dyshuar të njohur, që e kanë siguruar shtetësinë me mashtim”, tha zyrtari i këtij departamneti, Chad Readler.

Personi, Iyman Faris, më parë pat pranuar se e kishte shqyrtuar mundësinë e dëmtimit të kabllove mbajtëse të Urës Bruklin, në kuadër të një komploti të al-Kaidës, por në vitin 2002 kishte konkluduar se siguria ishte shumë e madhe për ta ndërmarrë një sulm të tillë në këtë urë.

Trumpi e ka nënshkruar legjislacionin për misione njerëzore në Mars

Presidenti amerikan, Donald Trump, dje e ka nënshkruar legjislacionin, me të cilin parashihet që në dekadat e ardhshme të mundësohet dërgimi i misioneve njerëzore në Mars.

Ky legjislacion ishte miratuar nga votimi i rrallë unanim në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe e udhëzon agjencinë e gjithësisë NASA, që të punojë kah dërgimi i njerëzve në Mars deri në vitin 2030.

Po ashtu, autorizohet zhvillimi i sondës së thellë kozmike, të quajtur Orion, e cila do t’i dërgonte njerëzit mëtutje në gjithësi, që deri tash nuk ka ndodhur.

Presidenti Trump tha se ky legjislacion “e konfirmon përkushtimin tonë për misionin themelor të NASA-s”, dhe e ka lavdëruar “rolin historik” të astronautëve amerikanë.

SHBA: Tillerson kërkon miratimin e pranimit të Malit të Zi në NATO

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, në një letër dërguar liderëve të Senatit ka kërkuar që të miratohet anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, duke thënë se “kjo është fuqishëm në interes të Shteteve të Bashkuara”, kanë raportuar mbrëmë mediat.

Në letrën dërguar më 7 mars, zoti Tillerson ka argumentuar se pranimi i Malit të Zi në NATO, është mbështetje për integrimin, reformën demokratike, tregtinë, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan, ka raportuar agjencia Reuters.

Për muaj të tërë, votimi në Senat për këtë çështje është shtyrë nga vërejtjet e dy senatorëtve republikanë, Rand Paul dhe Mike Lee.

Paul e ka vënë në pyetje mençurinë e zemërimit të Rusisë, që e kundërshton zgjerimin e NATO-s, dhe e ka kundërshtuar çmimin e miratimit të anëtarësimit në NATO të këtij vendi të vogël, për të cilin thotë se nuk do të luaj rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara.

Mali i Zi, me 650 mijë banorë, shpreson ta fitoj mbështetjen e të gjitha 28 shteteve të NATO-s me kohë, për tu bërë anëtar i plotë në samitin e NATO-s në muajin maj.

Deri tash është mbështetur nga 24 shtete aleate në NATO.

Senatorja Dianne Feinstein pohon se Trumpi do të dorëhiqet

Sipas saj, Trumpi më parë do të dorëhiqej se sa të lejojë që dikush ta shkarkojë nga posti i presidentit

LOS ANGELES – Senatorja demokrate njëherësh anëtare në Këshillin për Gjyqësor, Dianne Feinstein, ka bërë një deklaratë duke theksuar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump së shpejti do të dorëhiqet nga posti.

“Së shpejti vetë Trumpi do të tërhiqet nga zyra e Presidentit”, tha Feinstein gjatë një fjalimi në protestat kundër presidentit të Shteteve të Bashkuara që u mbajtën në Los Angeles.aa

Tillersoni do të vizitojë Rusinë në maj por nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson do të zhvillojë vizitën e parë zyrtare në Rusi në muajin maj, si pjesë të turneut të tij evropian por nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s që do të mbahet në prill.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka bërë këtë njoftim mbrëmë vonë por nuk ka dhënë arsyet pse Tillerson nuk do të marrë pjesë në takimin e NATO-s.

Duke cituar zyrtarë amerikanë, agjencia Reuters raporton se Tillerson nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Bruksel por në vend të kësaj do të marrë pjesë në takimin e presidentit Donald Trump dhe homologut kinez, Xi Jinping, që pritet të mbahet në Florida më 6 dhe 7 prill.

Tillerson më pas do të fluturojë drejt Moskës dhe më pas do të marrë pjesë në samitin e G7-ës, që ,mbahet në Itali.

Nënsekretari amerikan për Çështje Politike, Tom Shannon do të përfaqësojë SHBA-në në samitin e NATO-s, ka njoftuar DASH.

SHBA do të ndalojë pajisjet e mëdha elektronike në fluturimet direkte nga Lindja e Mesme

Aeroporti John F. Kennedy, foto nga arkivi

Qeveria e Shteteve të Bashkuara pritet të ndalojë udhëtarët në fluturimet direkte nga Lindja e Mesme për në shtetet e Afrikës Veriore, të bartin në bord pajisje të mëdha elektronike.

Ky ndalim, i cili pritet të hyjë në fuqi sot, është njoftuar në një deklaratë të kompanisë ajrore Royal Jordanian.

Zyrtarët amerikanë i kanë thënë agjensive, AP, Reuters, CNN dhe mediave të tjera, se kjo ndalesë do të aplikohet vetëm për fluturimet direkte për në SHBA nga 10 aeroportet në 8 shtetet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Ata nuk kanë përmendur se për cilat shtete bëhet fjalë.

Royal Jordanian ka thënë se telefonët dhe pajisjet mjekësore pritet që të mos përfshihen në këtë ndalesë. Por pajisjet e tjera, ka thënë kjo kompani ajrore, duhet të futen në bagazh. Kjo kompani ka shtuar se kjo ndalesë do të prekë pasagjerët që fluturojnë drejt Nju Jorkut, Çikagos, Detroidit dhe Montrealit.

CNN raporton se kjo ndalesë është e lidhur me kërcënimin që paraqet Al-Kaida në Gadishullin Arabik, i cili ka qenë i përfshirë në sulmet e para në avionët që ishtin nisur drejt SHBA-së.


Send this to a friend