VOAL

VOAL

Trump, Trudeau theksojnë përkushtimin për të punuar së bashku

Presidenti Donald Trump dhe Kryeministri kanadez Justin Trudeau theksuan në mënyrë të përsëritur përkushtimin e tyre për të punuar së bashku. Ata i bënë komentet pas takimit të parë që patën të hënën në Shtëpinë e Bardhë.

Udhëheqësit e dy vendeve fqinje, biseduan për çështjet e mprehta të tregtisë dhe të emigracionit.

Në një konferencë të përbashkët shtypi pas një sërë takimesh, ata theksuan synimet e tyre të përbashkëta. Presidenti Trump u zotua të punojë me Kanadanë për realizimin e “interesave të shumta të përbashkëta.” Kryeministri Trudeau foli për “një lidhje të veçantë dhe respektin e thellë që ekziston mes dy vendeve,” edhe pse shtoi se “marrëdhëniet midis fqinjëve janë mjaft komplekse.”

Ndonëse dy udhëheqësit theksuan interesat e përbashkëta, pikëpamjet e kundërta mes tyre nuk munguan të shfaqen. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, zoti Trump i doli në mbrojtje urdhrit të tij për refugjatët dhe emigracionin, duke thënë se “nuk mund të lejojmë të hyjnë në vend njerëzit e gabuar.” Nga ana e tij, zoti Trudeau tha se Kanadaja vazhdon të ndjekë rregullat e saj të hapjes.

Qeveria e zotit Trudeau reagoi ndaj urdhërit ekzekutiv të Presidentit Trump, duke u ofruar personave që normalisht do të lejoheshin të hynin në Shtetet e Bashkuara, që të kenë mundësinë të aplikojnë për status qëndrimi të përkohshëm në Kanada.

Një ditë pasi Presidenti Trump nënshkroi urdhërin ekzekutiv, zoti Trudeau shkroi në Twitter: “Njerëzve që largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar persekutimit, terrorit dhe luftrave, u themi se kanadezët i mirëpresin, pavarësisht nga besimi juaj. Diversiteti është fuqia jonë. Jeni të mirëpritur në Kanada.”

Kryeministri Trudeau vuri në dukje të hënën se ka pasur raste kur dy vendet kanë shfaqur diferenca në qasjet e tyre. Por ai shtoi: “gjëja e fundit që presin kanadezët është që t’i jap mësime një vendi tjetër se si duhet të qeveriset”.

Zoti Trump e priti kryeministrin kanadez të hënën paradite. Trudeau kishte sjellë një dhuratë personale, një foto të zotit Trump me babanë e zotit Trudeau, ish-kryeministri kanadez Pierre Trudeau, i cili nuk jeton më.

Presidenti Trump tha se e kishte njohur dhe e respektonte Pierre Trudeau-në dhe se do ta mbante fotografinë në një vend shumë të veçantë.

Në një tryezë të rrumbullakët me gra drejtuese biznesesh amerikane dhe kanadeze, Trump dhe Trudeau njoftuan ngritjen e një grupi pune të fokusuar te gratë në fuqinë punëtore. Presidenti Trump tha se është e rëndësishme të garantohet që gratë të punojnë dhe të arrijnë sukses në ekonomi. Kryeministri Trudeau theksoi se gratë duhet të kapërcejnë pengesa për të patur sukses në biznes.

Vajza e zotit Trump, Ivanka, ishte e pranishme në takim dhe kishte ndihmuar për organizmin e tij.

Takimi duket se ishte dëshmi e ndikimit të saj në rritje tek politikat e Shtëpisë së Bardhë.

Trudeau, 45 vjeç, dhe Trump, 70, kanë këndvështrime shumë të ndryshme për botën.

Trudeau është liberal që nxit tregtinë e lirë dhe ka pranuar në vend 40 mijë refugjatë sirianë. Në kabinetin e tij 50 për qind janë gra. Zoti Trump ka pak gra në kabinetin e tij. Ai mban një qëndrim proteksionist për tregtinë dhe synon të godasë fluksin e emigrantëve dhe refugjatëve.

Marrëdhëniet e Kandasë me SHBA janë të rëndësishme pasi më shumë se 75 për qind e eksporteve kanadeze shkojnë në SHBA, ndërsa vetëm 18 për qind e eksporteve amerikane shkojnë në Kanada.

Mes kanadezëve ekziston shqetësimi se ata mund të dëmtohen ekonomikisht, nëse Presidenti Trump vë në shënjestër Meksikën, duke rinegociuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, NAFTA.

Por bashkëpunimi i ngushtë Trudeau-Trump dhe roli i Ivanka Trump-it për angazhimin e grave në biznes mund të lehtësojë disa shqetësime mes kanadezëve se presidenti amerikan do të zbatojë masa proteksioniste që mund të dëmtojnë ekonominë kanadeze.

SHBA, dorëhiqet këshilltari i sigurisë kombëtare

Këshilltari i sigurisë kombëtare Michael Flynn dha dorëheqjen pas njoftimeve se ai nuk u kishte treguar të vërtetën zyrtarëve të administratës Trump rreth kontakteve të tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington.

Dorëheqja e zotit Flynn, kur administrata Trump ka më pak se një muaj që ka filluar nga puna, shënon një tronditje të pazakontë në ekipin e lartë të këshilltarëve të presidentit.

Flynn ishte mbështetës besnik i zotit Trump gjatë gjithë fushatës, por lidhjet e tij me Rusinë shkaktuan shqetësim mes bashkëpunëtorëve të tjerë të lartë.

Gjenerali Keith Kellog është emëruar për të shërbyer si këshilltar në detyrë i sigurisë kombëtare.

Flynn fillimisht u tha këshilltarëve të zotit Trump se me ambasadorin rus nuk kishte diskutuar për sanksionet. Nënpresidenti Mike Pence, me sa duket nisur nga informacionet e marra nga Flynn, dha garanci publike për këshilltarin e sigurisë kombëtare.

Flynn më pas u tha zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë se ai mund të kishte diskutuar mbi sanksionet me ambasadorin, por nuk i kujtohej.

Dy persona që kanë dijeni për situatën thanë se Departamenti i Drejtësisë e kishte paralajmëruar administratën Trump për kontaktet e zotit Michael Flynn me Rusinë.

Sipas njërit prej tyre, Departamenti i Drejtësisë i tha administratës se ka pasur mospërputhje midis asaj që Shtëpia e Bardhë ka deklaruar publikisht në lidhje me kontaktet e zotit Flynn dhe fakteve rreth këtyre kontakteve.

Personi në fjalë tha se Departamenti i Drejtësisë ishte i shqetësuar se zoti Flynn mund të ishte në pozitë të komprometuar.

Një zyrtar i administratës tha se Shtëpia e Bardhë prej javësh ka qenë në dijeni të paralajmërimit të Departamentit të Drejtësisë. Por zyrtari nuk dëshironte të thoshte nëse presidenti ishte informuar për çështjen.

Dy personat nuk ishin të autorizuar për të diskutuar mbi çështjen prandaj komentuan në kushte anonimiteti.

Gazeta Washington Post ishte e para që njoftoi për komunikimet me Departamentin e Drejtësisë.

Panairi i automjeteve në Chicago ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve

Panairi do të përfundojë më 20 shkurt, ndërsa pritet të tërheqë mbi një milionë vizitorë nga nga shumë rajone të SHBA-ve

CHICAGO – Koncepti “Star Wars” ka tërhequr vëmendjen në Panairin e Automjeteve në Chicago, i cili llogaritet si aktiviteti më i madh automobilistik në SHBA.

Në edicionin e 109-të të Panairit të Automjeteve në Chicago i cili po vazhdon në qendrën më të madhe të kongreseve në Amerikën Veriore, McCormick Place, para simpatizuesve janë ekspozuar mbi një mijë automjete.

Gjigantët automobilistik thuajse po garojnë mes vete për të tërhequr vëmendjen e vizitorëve. Në hapësirën e ekspozitës janë organizuar aktivitete dhe ekspoze interesante.

Në mesin e temave që kanë tërhequr vëmendjen, më i spikaturi ishte koncepti “Star Wars” të cilin e ka parapëlqyer kompania Nissan. Në pavijonin e Nissan, në të cilin janë angazhuar animatorë që personifikonin karakteret e filmit të famshëm, u ekspozua edhe modeli i automjetit Rouge i cili është dizajnuar në përputhje me konceptin e Star Wars.

Ndërkaq, një nga pavijonet që tërhoqi më së shumti interesimin e vizitorëve ishte ekspozita luksoze e formuar bashkarisht nga disa firma lokale të Chicagos, ku u ekspozuan 17 automjete luksoze në vlerë totale prej afërsisht 12 milionë dollarësh dhe në të cilin kishte prani të masave të sigurisë speciale.

Në panair gjithashtu spikatën edhe sistemet e automjeteve me energji elektrike dhe pa ngasës, ndërsa krahas tipareve si komunikimi vokal me ngasësin, sistemi i mençur për parandalimin e gabimeve të vozitësve dhe frenimi automatik, të parapëlqyeshme ishin edhe ngjyrat e gjalla dhe të theksuara, në vend të ngjyrave klasike.

Panairi do të përfundojë më 20 shkurt, ndërsa pritet të tërheqë mbi një milionë vizitorë nga shumë rajone të SHBA-ve. aa

“New York Post”: Barack Obama dhe 30 mijë vetë do të protestojnë para Shtëpisë së Bardhë kundër Trumpit

“New York Post” ka shkruar se Obama do të rikthehet për të kundërshtuar Presidentin amerikan Donald Trump. Ish-Presidenti i SHBA Barack Obama duket se ka vendosur që të rikthehet në qendër të vëmendjes dhe të dalë kundër Trumpit shkruan “New York Post” . Sipas kësaj gazete, Obama do të udhëheqë një protestë kundër Presidentit Trump. Bëhet fjalë për 30 mijë protestues që do të marshojnë drejt Shtëpisë së Bardhë për të protestuar kundër Donald Trumpit. Këtë marshim Obama do ta bëjë përmes një rrjeti të organizatave jofitimprurëse. Në këtë fushë po planifikon ish-Presidenti Barack Obama që të angazhohet pas tërheqjes nga politika amerikane ku qëndroi për dy mandate si president i SHBA-ve.

Një amerikan në Shqipëri në mbarim të Luftës së Parë Botërore Nga Fotaq Andrea/France

Quhet Whitney Warren, dhe është Dikush.

Fjala është konkretisht për arkitektin e njohur amerikan dhe bashkëthemeluesin e firmës “Warren and Wetmore” e cila, vetëm në vitet 1910-1930, ndërmori projektimin dhe ndërtimin e mbi 50 godinave madhështore në Manhatan e në New York City.

Siç del më poshtë nga artikulli i tij “Shqipëria”, botuar më 23 nëntor 1918 në organin francez “la Rennaissance”, ai ka qenë për vizitë në vendin tonë, pikërisht në mbarim të Luftës së parë botërore, një vizitë jo thjesht njohëse në rrafsh kulturor a turistik, por një vizitë me shumë gjasa politike, nisur nga nacionalizmi dhe angazhimi i tij pro-italian, për të mbështetur kërkesat e Italisë në Adriatik gjatë dhe pas Luftës së Madhe.

Është fakt historik se në kuadër të rivalitetit të Fuqive të kohës për vënie nën kontroll të zonave gjeostrategjike, “Çështja e Adriatikut” dhe vetë “Çështja shqiptare” dolën në plan të parë në mbarim të Luftës, kur përpara forcave politike shqiptare shtrohej detyra e ngutshme për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe përcaktimin e statusit të ri juridik të shtetit shqiptar. Veçse, vetë këto forca, për shkak të rrethanave të ndërlikuara kombëtare e ndërkombëtare, po përballeshin me dy prirje politike në gjirin e tyre: njëra palë që mbështeste idenë se shqiptarët janë në gjendje të ngrenë e të drejtojnë vetë shtetin e pavarur shqiptar, pa ndërhyrje të huaj, apo ndryshe pa “protektorat” (S. Nivica e B. Pejani); dhe tjetra palë që kërkonte vendosjen, për një kohë të caktuar, të shtetit të pavarur shqiptar nën mbrojtjen e një Fuqie të huaj, si kusht i domosdoshëm për mëkëmbje dhe shmangie të çdo rreziku nga jashtë, sidomos nga fqinjët ballkanikë. Por edhe në këtë rast, për vënie të Shqipërisë nën mandatin e një Fuqie të jashtme, do shfaqeshin dy orientime: njëri fraksion i patriotëve shqiptarë që do t’i kërkonin Konferencës së Parisit mbrojtje amerikano-angleze dhe kundërshtim të protektoratit italian (M. Turtulli, G. Adhamidhi e M. Konica, mbështetur nga kolonitë shqiptare në Turqi, SHBA e Rumani); dhe tjetri fraksion me orientim proitalian (Turhan Pasha, L. Bumçi, M. Kruja, L. Gurakuqi, por edhe mjaft personalitete të tjera politike si S. Gjika, M. S. Gurra, M. Frashëri, M. Libohova, L.Nosi, etj.), që shihnin tek Italia një shtet perëndimor si fqinji më i afërt i Shqipërisë, me lidhje tradicionale, historike e kulturore, dhe me qytetërim të përparuar.

Këta patriotë, me sytë nga Italia, synonin thjesht dhe vetëm një mandat ndihme ndaj Shqipërisë, për “asistencë dashamirëse” dhe sidomos “ndihmë për një kohë të caktuar”, siç nënvizonte memorandumi i tyre i 14 prillit 1919 drejtuar Konferencës së Paqes. Ndonëse Italia nuk përmendej konkretisht me emër në këtë memorandum si një Fuqi protektore për Shqipërinë, kjo gjë lihej të kuptohej, ndërkohë që shprehej në të qartë se “ndihma duhej të ishte e tillë që të pajtohej me pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit shqiptar të bashkuar”. Një protektorat italian ndaj vendit tonë, i kufizuar në kohë, dhe me frymë europiane, shihej kështu si domosdoshmëri në kushtet jashtëzakonisht të vështira të shtetit të ri shqiptar që rrezikonte të copëtohej për të tretën herë, deri në zhdukje, pas Kongresit të Berlinit dhe Traktatit të Londrës.

Nga ana tjetër, kërkesa për një protektorat italian ndaj Shqipërisë vinte edhe për arsye se mjaft personalitete politike shqiptare besonin në miqësinë e lashtë midis dy vendeve, e sidomos tek  deklarata e Italisë e vitit 1917, që kishte shpallur “pavarësinë e gjithë Shqipërisë”, ndryshe nga Austro-Hungaria, e cila kishte premtuar vetëm autonominë e saj. Në të njëjtën kohë, duke u mbështetur tek parimi i “vetëvendosjes së popujve”, si një aspiratë e çmuar për një paqe të drejtë e të qëndrueshme, parim i përkrahur fuqimisht nga presidenti amerikan Wilson, që deklaroi publikisht se nuk njihte traktatet e fshehta në kurriz të popujve – sikurse ishte Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915 që zhdukte Shqipërinë nga harta e Ballkanit -, patriotët shqiptarë ishin të detyruar të pranonin (maj 1919) vendimin e Fuqive për vënie të Shqipërisë nën mandatin italian me argumentimin se “vendi nuk kishte arritur ende një pjekuri politike të duhur, për një jetë shtetërore plotësisht të pavarur”.

Në të vërtetë, iluzioni se Italia do të ishte aleatja e jashtme më e mundshme dhe më e afërt e kombit shqiptar, shpejt do të shuhej më 1920 me Luftën e Vlorës, kur Italia (me mendësinë kolonialiste të kohës) do të këmbëngulte edhe ushtarakisht për vënien dhe mbajtjen nën kontroll të Vlorës, Sarandës, Durrësit, etj. Ashtu siç pati bërë edhe më 1915 me pushtimin e krejt rajonit të Jugut të Shqipërisë në akset Vlorë-Përmet dhe Tepelenë-Gjirokastër-Sarandë. Ashtu siç do të bënte më në fund, edhe më 7 prill 1939, kur do të pushtonte Shqipërinë, pa hequr dorë nga qëllimet e saj aneksioniste ndaj Shqipërisë…

Por, le te kthemi në nëntor 1918, në prag të Konferencës së Parisit tek amerikani Whitney Warren, që realizon në këtë kohë vizitën e tij në Shqipëri. Në fakt, që në vitet e Luftës së parë botërore e shohim atë në Europë, si bashkëthemelues të Komitetit të Studentëve Amerikanë të Shkollës së Arteve të Bukura në Paris, duke mbrojtur kauzën franceze. Dhe shumë shpejt, i lidhur me miqësi të ngushtë me shkrimtarin e njohur italian Gabriele d’Annunzio, mbështet aktivisht edhe kërkesat e Italisë në Adriatik, duke u emëruar njëkohësisht përfaqësues diplomatik i Shteteve të Bashkuara në shtetin e lirë të Fiumes (Rjeka). Përkrahës i nacionalizmit politik italian, ashtu si d’Annunzio, që kishte hartuar më 1915 broshurën politike “Per la piu grande Italia”, edhe Warren e kërkonte Italinë fuqi europiane të dorës së parë që duhej të shfaqte “frymë të re protektore” dhe “partneritet”, por pa e lënë në hije parimin e “vetëvendosjes” së popujve. Duke ndjekur logjikën dhe frymën e kohës, në këtë shkrim, ai i njeh Italisë përkujdesjen për zhvillim të Shqipërisë dhe partneritet me të.

Njeri i besuar i Departamentit të Shtetit dhe posaçërisht i presidentit Wilson, ai ishte një figurë qendrore mes intelektualëve dhe politikanëve të shquar të Europës dhe Ballkanit, tek mbante lidhje të ngushta me ta, për ta paraqitur sa më objektivisht, realisht e në mënyrë konstruktive gjendjen në Ballkan gjatë dhe pas Luftës së parë, pikërisht në atë zonë të rrezikshme të kontinentit të vjetër të quajtur “Fuçi e barutit”. I vetëdijshëm për rolin e Shteteve të Bashkuara si faktor paqeje, stabiliteti e progresi në rajon, dhe përfaqësues i tyre në Fiume (shpallur “shtet-tampon i pavarur “), një qytet në Kroaci, banuar kryesisht nga italianë e kroatë dhe konsideruar në atë kohë si “molla e sherrit” midis Italisë nga njëra anë, dhe mbretërisë kroato-serbe, nga ana tjetër, në çështjen aq delikate të kontrollit të Adriatikut, e shohim kështu amerikanin Warren të lidhur me letërkëmbim të dendur me mori personalitetesh të botës, që nga presidenti Th. Roosvelt dhe mbreti Albert I i Belgjikës deri te duka i Albës, mbreti i Monakos, shkrimtari Marsel Proust, konti Barbarini, shkrimtari dhe politikani Maurice Barrès, kryeministri francez G. Clémanceau, e me radhë, por edhe me personalitete europiane që ndiqnin nga afër “Çështjen shqiptare”, si Justin Godart, d’Estournelle de Constant, Antonio Baldacci e Victor Bérard. Mbi të gjitha, Warren nuk e kursen penën e tij për të shkruar artikuj e ese që i botonte në organe të ndryshme të Europës, por edhe në formë broshure. Përmendim këtu artikujt e tij “Për Neutralët”,  “Roli i Amerikës në luftën ajrore”, “Po Adriatiku?”, “Për miqtë e Francës”, “Amerika dhe Anglia”, “Duke vështruar Italinë”, “Uniteti i Organizatës”, “Bashkimi i Aleatëve”, “Çështja e Adriatikut dhe Trente Trieste”, “Hapi i fundit”, “Përpjekja ushtarake dhe Italia gjatë luftës”, “Mali i Zi: Krimi i Konferencës së Paqes”, etj.

Përballë frymës së rivalitetit gjeostrategjik që orientonte veprimet e Fuqive të kohës gjatë dhe pas Luftës së partë botërore, e cila do të bënte mbi 20 milionë viktima dhe do të rrezikonte mbi të gjitha të zhdukte krejt Shqipërinë, përballë kompleksitetit të ngjarjeve politiko-ushtarake që e shndërruan Shqipërinë në shesh-beteje në vitet 1914-1918, shohim personalitete të rëndësishme të botës shqiptare e të huaj të mobilizohen fuqimisht për të mbrojtur pas Luftës integritetin e kombit shqiptar në kufijtë e tij etnikë, të veprojnë mbi të gjitha, me mprehtësi e shkathtësi, në fushën diplomatike, e cila do të dilte tashmë në plan të parë për rivendosjen e Paqes së përgjithshme. Në kërkim të një “partneri strategjik” për Shqipërinë, nuk mungon në këtë mes edhe veprimtaria e amerikanit Warren, i cili e nis shkrimin e tij “Shqipëria” me një aluzion ironik nga bota e operave komike të Offenbach, “Banditët” dhe  “Dukati i Gerolsteinit.

***

Shqipëria/

Nga Whitney Warren/Whitney_Warren

“Z. Whitney Warren, ka pasur rastin të vizitojë kohët e fundit Shqipërinë dhe ka vërtetuar në vend dëshirat që ushqejnë vetë shqiptarët në gjendjen e përgjithshme që e karakterizon. Në artikullin që na ka dërguar, tregon mënyrën se si e sheh ai çështjen të zgjidhur në çastin e vendosjen së paqes së përgjithshme”. (Ndërhyrje redaksionale e gazetës “La Rennaissance”, 23 nëntor 1918).

Mes tërë problemeve që shtrohen për zgjidhje para Traktatit të paqes së përgjithshme, çështja e Shqipërisë është nga ato me të dhëna nga më pak të njohurat prej publikut francez. Shqipëria nuk është, siç duan ta përfytyrojnë, një vend operete ku [liberti] Meilhac të na ndërtoka aty skenën për “Bandidët”, apo një shtet i tipit “Girolstein”, i bërë vetëm për të qenë teatri i të papriturave qesharake të një princ Wied-i. Është një truall tepër i lashtë që ka luajtur një rol të madh në Histori dhe që është në pritje të një zhvillimi mjaft të rëndësishëm nëse fati i saj rregullohet në një mënyrë të tillë që t’i sigurojë Europës së riorganizuar disiplinim të forcave dhe shfrytëzim të burimeve që zotëron.

Mbase nuk është e kotë të vërehet se përcaktohen me emrin “Shqipëri” të katër ish vilajetet e Turqisë europiane, të njohura me emrin vilajeti i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit dhe i Janinës, emra këto që komunikatat nga Orienti i kanë bërë aq të njohura dhe që janë themelet e një njësie të vetme etnologjike, gjeografike e historike. Emërtimi “Albania” është për më tepër krejt konvencional. Termi i vërtetë që duhet të shërbejë për të përcaktuar këto rajone është ai që përdorin vetë banorët e tyre: “Shkipëria”, vendi i Shqipes. Ky emërtim ka dobinë se karakterizon shumë saktë krenarinë, fisnikërinë si dhe traditat luftarake e të guximshme të një popullsie malësorësh të palodhur që llogarisin ndër stërgjyshërit e tyre një mbushulli heronjsh, ndër të cilët më i famshmi është Skanderbegu.

Kombësia shqiptare është me origjinë të largët e misterioze; shkon siç thuhet gjer në epokën primitive të Pellazgëve dhe shqiptarët konsiderohen përgjithësisht si pasues të drejtpërdrejtë të Ilirëve, të cilët kolonizuan të parët brigjet lindore të Adriatikut. Shihet pra se është fjala për një racë tepër të lashtë dhe që mund të rivendikojë me shumë arsye të drejtën për të mos u ngatërruar me asnjë tjetër.

Madje mund të thuhet se vetëdija e një trungu të përbashkët etnik ka shuar mes shqiptarëve grindjet që lindin zakonisht nga larmia e besimeve. Në fakt, praktikojnë tri fe, katolike, ortodokse e myslimane, por në dallim nga popujt e tjerë ballkanikë për të cilët feja dhe kombësia krijojnë një gjë të vetme, ata nuk janë të përçarë nga ndonjë mosmarrëveshje besimi. Përkundrazi, ekziston edhe tradita për disa fise katolike të martojnë djemtë e tyre me vajza nga fise myslimane. Zakon që tregon se deri në çfarë shkalle të lartë familja shqiptare krijon një njësi të plotë të pandashme.

Banorët flasin një gjuhë më vete që nuk ka të bëjë as me sllavishten, as me greqishten, por është me origjinë ilire, mësimi i së cilës u ndalua rreptë dhe për një kohë të gjatë gjatë sundimit të Turqisë. Bashkësive myslimane dhe ortodokse u imponohej njohja e gjuhës turke apo greke. Nuk mund të mësohej shqipja veçse në shkollat e hapura nga shtetit italian dhe Austria në Skutari, Durazzo e Valona. Edhe pse u përpoqën për ta zhdukur gjuhën shqipe, ajo përsëri mbeti e pacenuar: një provë tjetër e lidhjes së atyre që flasin këtë gjuhë me traditat e atdheut të lashtë.

Tek paraqitëm shkurtimisht këto çështje, cili është fati i Shqipërisë nëpër histori? E pavarur, me gjithë përpjekjet e grekëve për të mos e lënë të tillë, e nënshtruar ndaj romakëve vetëm me anë të tradhtisë, bashkohet rreth heroit të saj kombëtar Skënderbeut në shekullin XV; ky kapedan i madh, që mbante titullin mbret i Epirit e i Maqedonisë mbretëroi në vitet 1443-1467 dhe gjatë tërë kësaj periudhe nuk pati qëllim tjetër veç të siguronte lirinë dhe madhështinë e atdheut të vet kërcënuar nga ambicia turke. Pas vdekjes së tij, lufta për pavarësi zgjati gjatë katër shekujve dhe asnjëherë qeveria osmane nuk arriti të vendosë autoritetin e vet në rajonet malore të vendit; vetëm qytetet iu nënshtruan forcës. Por do të ndodhte sidomos në vitet 1870 që shqiptarët të kërkonin fuqimisht autonominë e tyre. Më 1878,  kur Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi dy kantone shqiptare, disa territore Serbisë e të tjera Greqisë, revolta shpërtheu kudo dhe u shtyp veç me gjak. “Lidhja Shqiptare”, e themeluar me qëllim që të shpallte e të realizonte kërkesat e saj autoktone, i dyfishoi përpjekjet më 1897 dhe 1903. Më 1908, propaganda e saj dha rezultate të mëdha mes fiseve shqiptare. Programi për pavarësi mori fillimisht një formë krejt parlamentare dhe deputeti shqiptar Ismail Kemal Bej themeloi një parti të re, “Bashkimi Liberal”, si kundërvënie ndaj Komitetit “Bashkim e Përparim”. Me ardhjen në fuqi të xhonturqve, shkëputja u bë përfundimtare midis Portës dhe Shqipërisë. Që prej kësaj kohe, lufta për pavarësi nuk rreshti një ditë; vijojnë kryengritje pas kryengritjesh të Fiseve: më 1911, revolta arrin pikën e saj kulmore, dhe më 1912, në mesin e Luftës ballkanike, Ismail Kemal Bej, themelues i “Bashkimit Liberal”, shpall në Valona pavarësinë e vendit të tij dhe krijoi një qeveri të përkohshme. Arrijmë këtu në ngjarje që ende janë të freskëta në kujtesë: më 1913, Mbledhja e Ambasadorëve në Londër pranoi që Shqipëria të bëhet një shtet i pavarur; do pasojnë kështu mbretërimi i shkurtër i princ Wied, pështjellimet, mosmarrëveshjet e nxitura nga Austria, kryengritjet e reja dhe më në fund, largimi i nxituar i princit. Pasandaj erdhi Lufta…

Nga këto fakte, të paraqitura në mënyrë të thatë, qëllimisht, për t’i bërë të mundur publikut të shohë përmbledhtas tiparet themelore të historisë dhe të karakterit shqiptar, del se ka ardhur çasti për Shqipërinë të fitojë një status qëndrueshmërie, për t’i garantuar një autonomi që asnjëherë nuk ka reshtur së kërkuari ndër shekuj, gjatë luftërash të panumërta, si dhe t’i sigurojë një mbrojtje që e ka të nevojshme për një jetë në paqe, një jetë frytdhënëse e të rregullt. Thuhet: “Përvoja e princ Wied-it vërteton se Shqipëria gjithmonë është e pakënaqur”. Nuk ka gjë më të pavërtetë e njëkohësisht më të vërtetë. Që këtej del se ndihma e një Fuqie të madhe është e nevojshme për këtë popull të organizuar keq, jeta politike e të cilit kurrë nuk ka pasur një kuadër të kënaqshëm, por aspak të prirë për një skllavëri të re. Mjaft të shohim shtetet e tjera ballkanike. Greqia fillimisht u mbështet, gjatë kohës së Otonit, nga një organizëm bavarez, pastaj, më vonë, nga një organizëm francez. Bullgaria u ndihmua nga Rusia, si dhe Mali i Zi. Në këtë mënyrë, edhe Shqipëria duhet të gjejë, në vitet e para të hovit të saj të ri, një mbështetje nga jashtë. Ku ta gjejë këtë mbështetje që as Turqia, as Austria kurrë nuk kanë qenë as të denjë, as të aftë për t’ia dhënë, ku tjetër përveçse tek Italia?

Të mos harrojmë se mbi bregdetin italian të Adriatikut, ekziston tashmë një koloni prej 200.000 shqiptarësh që janë vendosur atje për t’iu larguar zgjedhës turke; të mos harrojmë po ashtu se vetëm Italia ka një kuptim të saktë të gjendjes shqiptare. Programi i saj është: “Shqipëria shqiptarëve”. Ajo nuk kërkon tjetër veçse të mbështesë kauzën e tyre. Kush mund të thotë të njëjtën gjë ndër shtetet që kanë synuar dhe synojnë ende të vënë dorë mbi atë tokë pjellore?

Përpjekja e bërë nga aleatët tanë gjatë luftës së sotme (mund të shkruajmë tani: “gjatë luftës së fundit”), për të përmirësuar fatin e Shqipërisë dhe për të dëbuar që andej armikun e përbashkët ka qenë e madhe: bëri më në fund të mundur depërtimin e qytetërimit latin në rajone të egra dhe krijoi lidhje mirënjohjeje shumë të forta midis shqiptarëve e italianëve. Për të përmendur vetëm dy shembuj, le të kujtojmë veprën e mësuesve italianë që i vunë vetes si detyrë të përkujdesen krahë për krahë si ndaj fëmijëve katolikë, ashtu dhe ndaj fëmijëve ortodoksë e myslimanë në territoret e pushtuara dhe që arritën rezultate nga më të mirat; le të kujtojmë gjithashtu se që prej vitit 1915, ushtarët italianë çelën mbi 1.000 km rrugë, shtruan një rrjet të plotë linjash telegrafike, telefonike dhe radio-telegrafike, ndërtuan ujësjellës, kanale vaditjeje, ura, linja elektrike, etj…  Atje, si kudo, trupat e xhenios italiane përfunduan kryevepra, konkretisht ndërtimin e rrugës Vlorë-Sarandë, e quajtur ndryshe edhe rruga e Himarës, duke çarë shkëmbinj e pyje mijëvjeçare dhe duke zigzaguar guximshëm në rajone dikur të virgjëra. U deshën jo më shumë se 20 muaj për të përfunduar këtë rrugë të përkryer automobilistike, e gjatë 130 km. Ndërmarrje të tilla janë vetëm fillimi i një pune qytetëruese, që të njëjtat duar  duhet ta vazhdojnë.

Pozita e Shqipërisë në Adriatik – fqinjësia e saj me vende ku ndikimi latin është ndjerë prej kohësh, ku ndikimi italian, në vazhdë të tij, nuk ka reshtur kurrë së ushtruari një veprimtari bamirësie, qoftë edhe gjatë sundimit austriak – domosdoshmëria para së cilës gjendet Shqipëria për t’u mbështetur mbi një armaturë qytetëruese  – vetë dëshira e banorëve të saj, gjithçka përputhet për t’ia besuar Italisë drejtimin e një Shqipërie autonome. Siç shkruan gazeta “Kuvendi”, organ i interesave shqiptare: “Drejtuesi i sotëm, mbrojtësi i nesërm mban një emër që askush nuk mund ta shqiptojë pa u përkulur me respekt. Ky emër është “Roma“”.

Një politikë me synimin për t’i kënaqur të gjithë, ku të ushtronin ndikimin e tyre shumë Fuqi njëkohësisht do të binte ndesh me interesat parësore të kësaj treve dhe do të krijonte një gjendje të paqëndrueshme, të padrejtë, plot rreziqe, të papajtueshme me sigurinë për të cilën Europa ka nevojë.

Whitney-Warren

Qytetar Amerikan,

Anëtar i Insittutit

Dielli

Trumpi deklaratë për emigrantët që hyjnë në SHBA

“Në datat 2-11 shkurt, 72 përqind e emigrantëve që kanë hyrë në SHBA janë nga Siria, Iraku, Somalia, Irani, Sudani, Libia dhe Jemeni”

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-së, Doland Trump ka deklaruar se pas pezullimit të dekretit të tij në lidhje me ndalimin e hyrjes në SHBA, shumica e hyrjeve në këtë vend kanë qenë nga shtetet të cilat ai dëshironte të ndalonte.

Në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter, Trump ka thënë se pas vendimit të Gjykatës së Apelit 72 përqind e personave që kanë hyrë në SHBA, janë nga 7 vendet muslimane, hyrjen e të cilëve ai e ndaloi përmes dekretit.

“Në datat 2-11 shkurt, 72 përqind e emigrantëve që kanë hyrë në SHBA janë nga Siria, Iraku, Somalia, Irani, Sudani, Libia dhe Jemeni”, shkruan Presidenti Trump.

Pak pasi erdhi në detyrë, Trump firmosi një dekret i cili ndalonte hyrjen e shtetasve nga 7 vende me shumicë muslimane. Ndërsa Kryeprokurori i vendit, Robert Ferguson, e çoi çështjen në gjykatë nga ku doli dhe vendimi për pezullimin e dekretit. aa

New York, festivali i akullit paralajmëron Ditën e të dashuruarve

Vizitorët në Central Park sot mund të shohin gdhendësit profesionalë me daltë apo me sharrë motorike se si gërmadhat e mëdha të akullit i shndërrojnë në kopje të disa prej statujave më të famshme

NEW YORK – Shumë vizitorë shijojnë festivalin në akull, i cili gjashtë vite me radhë mbahet në Central Park në New York. Bëhet fjalë për festivalin i cili mbahet në fundjavën para ditës së Shën Valentinit, ditës së të dashuruarve, e cila u ofron vizitorëve argëtime dhe kënaqësi të shumta.

Vizitorët në Central Park sot mund të shohin gdhendësit profesional me daltë apo me sharrë motorike se si gërmadhat e mëdha të akullit i shndërrojnë në kopje të disa prej statujave dhe skulpturave më të famshme.

Me perëndimin e diellit, vizitorët do të mund të shijojnë në Silent Disco. Secili do të marrë kufje dhe do të zgjedhë muzikën për vallëzim, kurse atmosferën e masës vallëzuese do të zbukurojnë edhe me dritat e diskos që do të ndriçojnë në podium. aa

Trump: Jemi 100 përqind me Japoninë

Në konferencën e cila zgjati pak minuta, Presidenti Trump, duke treguar edhe njëherë mbështetjen ndaj Japonisë, tha: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë 100 përqind pranë aleatit të madh Japonisë”

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-së, Doland Trump, ka deklaruar se kundër provave për leshimin e raketave balistike, të Koresë së Veriut, SHBA-ja do të qëndrojë “100 përqind pranë” Japonisë.

Trump ka zhvilluar një konferencë për shtyp pas takimit me Kryeministrin japonez, Shinzo Abe, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në SHBA. Konferenca është zhvilluar në Florida, ndërsa ka qenë e fokusuar tek provat e Koresë së Veriut për zhvillimin e raketave balistike.

Në konferencën e cila zgjati pak minuta, Presidenti Trump, duke treguar edhe njëherë mbështetjen ndaj Japonisë, tha: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë 100 përqind pranë aleatit të madhë Japonisë”.

Ndërsa Kryeministri i Japonisë, Abe në lidhje me provën e Koresë së Veriut për lëshimin e raketave balistike, është shprehur: “Prova e fundit e Koresë së Veriut për lëshimin e një rakete balistike është e papranueshme. Koreja e Veriut duhet ti përmbahet një më një vendimeve të Këshillit të Sigurisë pranë OKB-së”. Ai ka theksuar se Trump ka deklaruar mbështetjen e vendit të tij ndaj Japonisë për çështjen e Koresë së Veriut.

Trump u takua me Abe-n në Shtëpinë e Bardhë ditën e djelë. Pas takimit me Kryeministren e Britanisë së Madhe Theresa May, Abe ishte lideri i dytë i pritur nga Trump. Më pas dy liderët kaluan në Florida, në Palm Beach, atje ku Trump kalon shpesh herë fundjavën. aa

Trumpi: Sistemi i emigracionit nuk do të përdoret si “vegël” e terrorizmit

Në fjalimin e tij të përjavshëm, Presidenti amerikan Donald Trump premtoi se sistemi i emigracionit në vend nuk do të përdoret si “vegël” për të çuar përpara kauzën e terroristëve të huaj.

Ai tha se do të “vazhdojmë të luftojmë që të marrim të gjitha masat e nevojshme dhe të ligjshme për të mos lejuar kurrë terroristët, radikalët, dhe ekstremistët e rrezikshëm të hyjnë në vendin tonë”.

Ai paralajmëroi se sistemi i emigracionit nuk do të lejohet të kthehet kundër amerikanëve, si instrument për terrorizmin dhe njerëzit e këqinj. Komentet e tij vijnë ndërsa, administrata po shqyrton mundësinë e një urdhëri të ri ekzekutiv për emigracionin.

Një gjykatë apeli vendosi unanimisht kundër urdhërit të tij ekzekutiv që ndalonte hyrjen në SHBA të refugjatëve dhe shtetasve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Presidenti Trump u tha dje gazetarëve që e shoqëronin gjatë udhëtimit me Air Force One, se një urdhër i ri ekzekutiv mund të nënshkruhet në fillim të javës së ardhshme, nëse administrata vendos të ndjekë këtë strategji.

“Kemi disa opsione të tjera, si nënshkrimi i një urdhëri krejt të ri ekzekutiv ditën e hënë… Na duhet shpejtësi për arsye sigurie, prandaj ka mundësi të veprojmë kështu”, tha Presidenti Trump.

Studiuesit ligjorë po shqyrtojnë domethënien e vendimit të gjykatës dhe se çfarë mund të ndodhë nëse çështja kalohet në Gjykatën e Lartë.

Profesori David Abraham i Universitetit të Majamit, i tha Zërit të Amerikës vendimi i Gjykatës së Apelit, është një tregues se si mund të jenë shanset e urdhrit në Gjykatën e Lartë.

“Gjykata sinjalizoi se paditësit e urdhërit të Presidentit Trump kanë shanse ta fitojnë çështjen. Megjithëse nuk shtjellohen meritat e çështjes, gjykatësit sinjalizuan se pala paditëse ka shanse të mira”, thotë profesori Abraham.

Ndalimi i udhëtimit do të skadonte brenda 90 ditësh, pra përpara se Gjykata e Lartë të pranonte çështjen. Administrata ka gjithashtu mundësinë ta modifikojë urdhërin, duke ndryshuar afatgjatësinë apo shtrirjen e tij.

SHBA: Demokratët kërkojnë hetime ndaj këshilltarit Flynn

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar hetime për çështjen nëse këshilltari i sigurisë kombëtare të administratës amerikane, Michael Flynn, ka diskutuar për sanksionet kundër Rusisë, me ambasadorin e Moskës në Uashington, derisa ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ishte ende në detyrë.

Ligjvënësit demokratë kanë pretenduar mbrëmë se bisedat telefonike, për të cilat raportohet gjërësisht në mediat e Shteteve të Bashkuara, mund të paraqesin shkelje të legjislacionit amerikan, që shtetasve privatë nuk u lejon të udhëheqin politikë të jashtme.

Senatorët demokratë, Ed Markey dhe Chris Murphy, kanë kërkuar hetim ndaj zotit Flynn, ndërsa demokratët e tjerë i kanë bërë thirrje presidentit, Donald Trump, që ta shkarkoj atë.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Trump ka “besim të plotë” në këshilltarin Flynn, i cili u kishte thënë gazetarëve se “nuk është i sigurt” nëse ka diskutuar për sanksione me ambasadorin rus, Sergei Kislyak, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kur Barack Obama po e përgatiste rundin e ri të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë.

Presidenca e Rusisë dje në mënyrë kategorike i ka hedhur psohtë pretendimet se Flynn kishte pasur çfarëdo bisede për sanksione me zotin Kislyak.

Trumpi kritikon Izraelin për vendbanimet ilegale

“Vendbanimet nuk kanë dobi për procesin e paqes. Tokat e disponueshme janë të kufizuara dhe këto pakësohen edhe më shumë me ndërtimin e vendbanimeve”

JERUSALEM – Presidenti amerikan, Donald Trump, për herë të parë kritikoi vendbanimet e Izraelit në territoret e Palestinës, që prej ardhjes së tij zyrtarisht në detyrë.

“Vendbanimet nuk kanë dobi për procesin e paqes. Tokat e disponueshme janë të kufizuara dhe këto pakësohen edhe më shumë me ndërtimin e vendbanimeve. Duhet ti hulumtojmë gjitha opsionet. Mirëpo mendoj se kjo nuk është e mirë për paqen”, tha Trump, në një deklaratë për gazetën “Izrael Hayom”.

Trump u shpreh se dëshiron paqe mes Izraelit dhe Palestinës. “Nuk dua ta dënoj Izraelin gjatë kryerjes së detyrës time. Izraeli ka një histori të gjatë në lidhje me dënime dhe vështirësi. Unë shumë mirë e kuptoj dhe e çmoj Izraelin. Mendoj se paqja do të ishte e përkryer edhe për Izraelin”, deklaroi Trump.

Trump duke dhënë mesazhin se është optimist në lidhje me marrëveshjen u shpreh se “Padyshim paqja nuk konsiderohet e mirë derisa nuk është e mirë për të gjithë. Disa nuk e shohin të mundshme vazhdimin e marrëveshjes së paqes. Unë nuk pajtohem me ata. Besoj që mund të arrijmë në marrëveshje, kemi nevojë për të.”

“Jam duke menduar mirë rreth çështjes së ambasadës”

Trump është shprehur se seriozisht është duke u menduar në lidhje me sjelljen e ambasadës amerikane prej Tel Avivit në Jerusalem.

“Jam duke menduar në atë temë dhe jam duke punuar mbi të. Nuk është një vendim i lehtë. Është një temë që flitet me vite të tëra, por askush nuk dëshiron të marrë këtë vendim. Edhe unë mendoj mirë mbi këtë temë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi presidenti amerikan. aa

Departamenti Amerikan i Shtetit mbështet ambasadorin Lu

Konfirmohet mbështetja e DASH për ambasadorin LU/

Departamenti Amerikan i Shtetit ka besim të plotë tek ambasada dhe ambasadori amerikan në Shqipëri.

Këto janë fjalët zyrtare ekskluzive për Top Channel, i cili iu drejtua Departamentit Amerikan të Shteti pas artikullit të Huffington Post, ku Luke Cofey drejtor i politikave të jashtme në Heritage Fondation, kritikon politikat e SHBA-ve në Ballkan dhe konkretisht për Shqipërinë, ndërhyrjen e ambasadorit Donald Lu në politikat e brendshme.

Top Channel kontaktoi DASH dhe zyra e shtypit atje, në emër të zëdhënësit Mark Toner, thekson se qellimi madhor amerikan në Shqipëri është mbështetja e reformave me qëllim anëtarësimin e vendit në BE.

“Politikat e SHBA kanë si qëllim të mbështesin anëtarësimin e vendit tuaj në BE dhe reformat e nevojshme për të arritur këtë qëllim. Këtu përfshihen mbështetja ndaj reformës në drejtësi, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe gjithashtu lufta ndaj ekstremizmit të dhunshm.  Ambasadori LU dhe ekipi i tij kanë punuar në partneritet me autoritetet shqiptare ashtu si dhe me shoqërinë civile për të cuar përpara politikat dhe qëllimet e Amerikes.  Departamenti i Shtetit, ka besim të plotë tek ambasada jonë dhe vetë Ambasadori në Shqipëri. Si miq dhe aleatë të Shqipërisë në Nato, SHBA-të nxisin fuqimisht  të gjitha palët të respektojnë fuqinë e ligjit dhe proceseve demokratike. Ne duam të shohim një Shqipëri të fortë dhe të integruar në familjen euro-atlantike”,- thuhet në reagimin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit.

http://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2017/02/zyrtari-i-DASH.jpg

Mediat amerikane: Këshilltari i Trumpit diskutoi sanksionet ndaj Rusisë para inaugurimit

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Michael Flynn

Mediat në SHBA raportojnë se këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn, privatisht ka diskutuar sanksionet amerikane kundër Moskës, me ambasadorin rus në SHBA, para se Donald Trump të inaugurohej si president.

Raportimet e 9 shkurtit të gazetave “The Washington Post” dhe “The New York Times”, kanë cituar zyrtar të tanishëm dhe të mëparshëm amerikanë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.

“The Washington Post” ka thënë se disa zyrtarë të lartë amerikanë i konsiderojnë takimet e tilla si sinjale “potencialisht ilegale” për Rusinë e cila mund të pres heqjen e sanksioneve të vendosura nga administrata e Obamës në muajin dhjetor.

Këshilltarët e Trumpit kanë thënë se Flynn ka biseduar me Sergey I. Kislyak, pak ditë para Krishtlindjeve, thjeshtë për të aranzhuar bisedën telefonike në mes të Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, pas inaugurimit.

Por, gazeta “The New York Times”, ka cituar zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm amerikanë duke thënë se biseda, e cila është zhvilluar pak ditë pasi qeveria e Obamës ka vendosur sanksione ndaj Rusisë me akuzën se ka kryer sulme kibernetike me qëllim që të ndihmojë Donald Trumpin të fitojë zgjedhjet, shkon shumë përtej planifikimit të një bisede telefonike në mes të dy liderëve.

Zyrtarët thonë se Flynn asnjëherë nuk ka bërë premtime të qarta për zbutje të sanksioneve, por ai e ka krijuar përshtypjen se kjo është e mundshme.

Gazeta “The New York Times”, thotë se janë ngritur dyshime se Flynn ka shkelur ligjin kundër përfshirjes në diplomaci të qytetarëve pa pozita zyrtare.

Deri më tash nuk ka ndonjë reagim ndaj këtyre shkrimeve nga administrata e Donald Trumpit.

SHBA: Apeli lë në fuqi pezullimin e urdhrit të presidentit për emigracionin

Gjykata e apelit në San Francisco vendosi të lerë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, i cili pezullonte përkohësisht urdhrin e presidentit Trump për të mos lejuar udhëtimin në Shtetet e Bashkuara të qytetarëve nga 7 vende me shumicë myslimane.

Fati i urdhërit presidencial pritet të vendoset përfundimisht nga Gjykata e Lartë.

Javën e kaluar gjykatësi James Robart vendosi të pezullojë përkohësisht urdhërin ekzekutiv të presidentit. Presidenti Trump u kundërpërgjigj me nervozizëm në Twitter, duke e cilësuar gjykatësin Robart “i ashtuquajtur gjykatës”, i cili “mori një vendim qesharak” që do të lejojë “shumë persona të këqinj dhe të rrezikshëm të hyjnë në vendin tonë”.

Avokati i Shtëpisë së Bardhë argumentoi para gjyktës së apelit se urdhri ekzekutiv ishte brenda kompetencave që Kongresi dhe Kushtetuta i kanë dhënë presidentit.

Çështja pritet të kalojë në Gjykatën e Lartë, e cila ka një vend bosh dhe kandidati i emëruar nga presidenti së fundmi për ta plotësuar atë, nuk ka të ngjarë të konfirmohet nga Senati në kohë për të votuar për këtë çështje. Gjykata e Lartë aktualisht është me 8 anëtarë, katër me prirje konservatore dhe 4 me prirje liberale.

Urdhri ekzekutiv nga ana tjetër ishte i vlefshëm vetëm për 90 ditë dhe ekziston mundësia që afati të skadojë para se Gjykata e Lartë të arrijë të diskutojë për të.

Vjedhja e dokumenteve sekrete, padi penale ndaj ish-punonjësit të NSA-së

Harold Thomas Martin, akuzohet për vjedhjen më të madhe “të dokumenteve sekrete” në historinë e SHBA-ve

Ndaj ish-punonjësit me kontratë të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), Harold Thomas Martin, i cili akuzohet për vjedhjen më të madhe “të dokumenteve sekrete” në historinë e SHBA-ve hapet padi penale ku kërkohet dënimi i tij deri me 30 vite burg.

Autoritetet po hetojnë Martin, ndërsa theksohet se në mesin e dokumenteve të cilat pretendohen se i ka vjedhur ai, krahas dosjeve të NSA-së, të Agjencisë Qendrore Inteligjencës (CIA) dhe të Cyber Command-ës (CYBERCOM) ndodhen edhe dokumente me detaje teknike dhe taktike për mbikëqyrjen globale dixhitale.

Pretendohet se Martin me mjetet e piraterisë në internet të përdorura nga NSA, duke vjedhur informacione sekrete në lidhje me planet operacionale kundër “armikut që njihet” të SHBA-ve, duke përfshirë edhe ato të mbrojtjes kombëtare ka shkelur ligjin e spiunazhit.

Pritet që 52-vjeçari Martin të dalë përballë gjykatësit më 14 shkurt në Baltimore. Prokurorët kanë bërë të ditur se ai me këto akuza mund të dënohet deri në 30 vite burg.

“Nuk është Snowdeni i ri”

Martin i cili kryente punime si i kontraktuar më parë për NSA-në, në muajin gusht ai u arrestua nga FBI-ja me akuzën për “vjedhjen e dokumenteve shumë sekrete të qeverisë”. Ndërsa kërkesa për gjykimin në gjendje të lirë ishte refuzuar nga gjykata me arsyetimin për rrezikun e largimit të tij.

Ndërsa avokatët e Martin kanë vënë në dukje se i mbrojturi prej tyre nuk kishte për qëllim dëmtimin të vendit të tij, por kishte qëllimin që të zhvillonte vehte jashtë orarit të punës. Avokatët janë shprehur se Martin nuk është një “Edward Snowden i ri”.

Zyrtarët amerikanë kanë pretenduar se nga Martin janë vjedhur më shumë se 75 për qind të dokumenteve që disponon njësia kibernetike elitë e NSA-së, Tailored Access Operations’un (TAO) e cila prodhon dhe menaxhon programet që përdor me qëllim të spiunazhit në rrjetet e huaja. Gjithashtu zyrtarët kanë bërë të ditur se madhësia e dokumenteve dixhitale arrijnë në 52 terabajtë.

Parashikohet se informacionet e vjedhura nga Martin i cili ka punuar për më shumë se 20 vite për shërbimet sekrete të vendit, janë më tepër nga ato të Edward Snowden. aa

Trumpi vë në shënjestër kompaninë që nuk do të shesë produktet e vajzës së tij

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar kompaninë Nordstrom e cila ka vendosur të mos shesë produktet e vajzës së tij, Ivanka

UASHINTON – Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar kompaninë Nordstrom e cila ka vendosur të mos shesë produktet e vajzës së tij, Ivanka.

Trump në një postim në llogarinë personale të tij në Twiter të cilën ende e përdor në mënyrë aktive ka thënë se ndaj vajzës së tij Ivanka është bërë “padrejtësi”.

“Nga Nordstrom është bërë një padrejtësi e madhe ndaj vajzës sime Ivanka. Ajo është një njeri i shkëlqyer dhe mua me drejton gjithmonë që të bëj atë që është e drejtë. Turp!”, ka shkruar Trump në mesazhin e tij i cili brenda disa orësh është shpërndarë nga mijëra persona.

Gjithashtu ka tërhequr vëmendjen se në mesin e tyre ka qenë edhe llogaria “@POTUS” në Twitter që i përket presidencës së SHBA-ve. Teksa shpërndarjet vazhdonin është vërejtur se në asetet e kompanisë për një kohë të shkurtër janë shënuar humbje.

Nordstrom e cila ka një zinxhir dyqanesh luksoze në të gjithë vendin javën e kaluar ka njoftuar se për shkak të uljes së kërkesave do të ndalonte shitjet e “Ivanka Trump Collection” të cilat përfshijnë produktet e veshjeve, këpucëve, aksesuarëve dhe parfumeve të Ivanka Trump.

Kritikat për konflikt interesi nuk kanë vonuar

Vendosja në shenjestër e kompanisë Nordstrom për shkak se ka ndaluar shitjet e produkteve të vajzës së Donald Trump ka risjellë sërish në rendin e ditës kritikat e konfliktit të interesit, ku në këto kritika është theksuar se presidenti amerikan nuk mund të përdorë detyrën e tij për interesat e familjes dhe është pretenduar se ky tweet i Trump-it ka shkelur këtë rregull.

Profesoresha e drejtësisë dhe ekspertja e moralit publik në Universitetin Washington, Kathleen Clark tha se postimi i Trumpit në median sociale është “problematik” sepse kjo mund të frikësojë edhe kompanitë e tjera të cilat planifikojnë të ndalojnë shitjet e produkteve të Ivanka Trump.

“Këtu kërcënimi i mbuluar, tregon se Trump mund të përdorë gjithë autoritetin që ka për t’iu kundërpërgjigjur Nordstrom ose çdo kujt tjetër që ka lidhje me interesat”, tha Clark duke shtuar se shpërndarja e tweetit nga llogaria e Presidencës është edhe më shqetësues.

Ndërsa në anën tjetër zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer duke mbrojtur tweet-in e Trump tha: “Është e papranueshme që dikush dhimbjet kundrejt vendimeve të Trump t’ia delegojë anëtarëve të familjes Trump. Presidenti Trump ka çdo të drejtë të mbrojë anëtarët e familjes së tij”. Ai më tej tha se vendimi i Nordstrom është politik.

Nordstrom në muajin e fundit është kompania e pestë që ka nxjerrë nga pikat e shitjes produktet që bartin emrin e Ivanka Trump. AA

Rohrabacheri nxit reagime me deklaratën “Maqedonia nuk është shtet”

Kongresisti amerikan, Dave Trott, bashkudhëheqës i Komitetit të Kongresit për Maqedoninë dhe Maqedono-Amerikanët, tha se Maqedonia është aleat i rëndësishëm i SHBA-së dhe nënvizoi mbështetjen për sovranitetin e saj.

“Maqedonia ka qenë partner i rëndësishëm në avancimin e përpjekjeve të SHBA-së për siguri kombëtare në gjthë botën. Për më tepër, diaspora e Maqedonisë në SHBA ka qenë pjesë e rëndësishme e komunitetit tonë dhe i ka kontribuar diversitetit dhe avancimit të të gjithë kombit tonë”, tha Trott.

Komentet vijnë pasi ligjvënësi republikan, Dana Rohrabacher, ka thënë se Maqedonia “nuk është shtet” dhe se ajo duhet të ndahet midis Bullgarisë dhe Kosovës.

“Kosovarët dhe shqiptarët nga Maqedonia duhet të jenë pjesë e Kosovës dhe pjesa tjetër e Maqedonisë duhet të jetë pjesë e Bullgarisë ose e ndonjë vendi tjetër, me të cilin beson se është e lidhur”, ka thënë për kanalin televiziv Vizion Plus Rohrabacher, kryetar i Nënkomitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën dhe Euroazinë.

Rohrabacher, mbështetës i fuqishëm i Rusisë, ka thënë se krijimi i Maqedonisë në vitet 1990, gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, ka qenë gabim, sepse “vendi është i ndarë në kampe etnike, që nuk mund të jetojnë bashkë në paqe”.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë i hodhi poshtë këto komente, duke thënë se “ato krijojnë ankth të madh” dhe “ndezin retorikën nacionaliste” në rjaon.

Trumpit mund t’i paralizohet e drejta e vetos mbi sanksionet ruse

Një grup i senatorëve amerikanë paraqiti një ligj që do të paralizonte çdo përpjekje të administratës së presidentit Donald Trump për t’i hequr sanksionet kundër Rusisë, të vëna për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Ligji, i quajtur Akti i Rishikimit të Sanksioneve Ruse, ka mbështetjen edhe të republikanëve, edhe demokratëve dhe vjen në kohën e shqetësimeve në Kongres, në lidhje me politikat e administratës Trump ndaj Rusisë.

Trump, vazhdimisht, ka sinjalizuar se do bashkëpunim më të madh me Rusinë në fushat si lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, sidomos në Siri. Por, administrata e tij ka bërë deklarata në lidhje me Ukrainën dhe çështje të tjera, që dallojnë nga administrata e mëparshme.

Senatorët Lindsay Graham, republikan, dhe Ben Cardin, demokrat, janë në mesin e grupit që mbështesin legjislacionin, i cili kërkon mbikëqyrje të rreptë nga Kongresi dhe fuqi të vetos mbi administratën Trump, nëse kjo e fundit përpiqet të heqë sanksionet ndaj Rusisë.

“Arsyeja për Aktitn e Rishikimit të Sanksioneve Ruse është se ne kemi dëgjuar presidentin disa herë duke folur për reduktimin e mundshëm ose eliminimin e sanksioneve”, tha senatori Cardin.

Paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, u ka ngrirë asete dhe u ka bllokuar vizat disa zyrtarëve të lartë rusë, pasi Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po ashtu thonë se Rusia mbështet forcat separatiste në lindje të Ukrainës, të cilat luftojnë trupat qeveritare. Rusia e mohon një gjë të tillë.

Mbi 9,750 njerëz janë vrarë nga luftimet në rajonin Donbas të Ukrainës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, nuk pranoi të komentojë legjislacionin e ri për sanksionet kundër Rusisë.

Ai iu referua komenteve të ambasadores së SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e cila ka thënë se sanksionet që lidhen me Krimenë, do të mbesin në fuqi derisa Moska t’ia dorëzojë kontrollin mbi gadishull Ukrainës.

“Nuk do të komentojmë për legjislacion në pritje. Sa u përket sanksioneve që kanë të bëjnë me Ukrainën dhe Krimenë, mendoj se ambasadorja Haley ka folur shumë, shumë qartë për to”, tha Spicer.

Senatori republikan, John McCain, po ashtu bashkëhartues i legjislacionit, tha se lehtësimi i sanksioneve kundër Rusisë do të dërgonte mesazh të keq, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, “vazhdon të shtypë qytetarët e tij, të vrasë kundërshtarët politikë, të pushtojë fqinjët, të kërcënojnë aleatët e Amerikës dhe të përpiqet të minojë zgjedhjet tona”.

Senatori demokrat, Cardin, shprehu optimizëm se legjislacioni do të marrë mbështetje të gjerë dypartiake në Kongres.

Përgatiti: Valona Tela

Sessions konfirmohet në postin e prokurorit të përgjithshëm të SHBA

Jeff Sessions

Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar të zgjedhurin e presidentit Donald Trump për prokuror të përgjithshëm.

Jeff Sessions është konfirmuar me 52 vota për dhe 47 kundër.

Sessions ka qëndrim të rreptë ndaj emigracionit dhe ka bashkëpunuar me Trumpin në formulimin e politikave të administratës për emigrimin.

Ai tani do të udhëheqë Departamentin e Drejtësisë.

Demokratët në Senat kanë akuzuar zotin Sessions për komente raciste.

SHBA, 30 vite burg për personin që i vuri zjarrin xhamisë

Schreiber i vuri zjarrin xhamisë në të cilën shkonte “sulmuesi nga Orlando” Omar Mateen

NEW YORK- Joseph Michael Schreiber, i cili në muajin shtator i vuri zjarrin xhamisë në Fort Pierce, është dënuar me 30 vite burg.

Schreiber i vuri zjarrin xhamisë në të cilën shkonte “sulmuesi nga Orlando” Omar Mateen.

Ai në muajin qershor të vitit të kaluar vrau 49 persona, ndërsa 53 të tjerë i plagosi. Në xhaminë u shkaktua dëm material prej rreth 100.000 dollarë, ndërsa gjykata në Floridë caktoi që Schreiber, i cili u pendua për atë që bëri, duhet të paguajë edhe gjobë në vlerë prej 10.000 dollarëve.

Pas hetimit të gjerë, policia njoftoi se zjarrin e vuri Schreiber i cili u arrestua më 14 shtator të vitit të kaluar.aa

Trumpi i ofron përkrahje Turqisë në bisedën telefonike me Erdoganin

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka përsëritur përkrahjen për Turqinë, “si partner strategjik dhe aleat i NATO-s”, gjatë një bisede telefonike që e ka pasur me homologun turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Sipas njoftimeve zyrtare, Trump, gjatë bisedës gjithashtu ka thënë se të dy vendet “janë të përkushtuara për të mundur terrorizmin në të gjitha format” ndërsa e ka mirëpritur kontributin e Turqisë në luftën kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Anëtari i NATO-s, që është shtet fqinj me Sirinë, Irakun dhe Iranin, Turqia është një lojtar i rëndësishëm në rajon, por marrëdhënia e Erdoganit me ish presidentin amerikan, Barack Obama, si dhe me Evropën perëndimore, në disa raste kanë qenë të tensionuara.

Turqia është zemëruar me atë që e quan ngurrim të Uashingtonit për të dorëzuar klerikun turk, Fetullah Gylen të cilin e akuzon si orkestrues të puçit të dështuar, para katër muajsh.

Të dy aleatët gjithashtu kanë tensione për shkak të përkrahjes amerikane për grupin militant kurd, YPG, që Ankaraja e konsideron si organizatë terroriste.

Televizioni CNN Turk, ka thënë se Erdogan gjatë bisedës telefonike ka kërkuar nga Trump që SHBA ta ndërpresë përkrahjen për YPG-në, ndërsa televizioni tjetër turk, NTV ka raportuar se Erdogan i ka bërë thirrje Uashingtonit që ta përkrahë Turqinë në luftën kundër “rrjetit” të Gylenit.

SHBA: Mbështesim tërësinë territoriale të Maqedonisë

Pas komenteve të një ligjvënësi amerikan, i cili sugjeronte ndarjen e Maqedonisë, një zyrtar i Departamentit të Shtetit, i tha Zërit të Amerikës se politika e Shteteve të Bashkuara ndaj Maqedonisë nuk ka ndryshuar.

Shtetet e Bashkuara njohin dhe mbështesin sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Maqedonisë. Ky qëndrim nuk ka ndryshuar”, theksoi zyrtari amerikan.

Ligjvënësi republikan Dana Rohrabacher, në një intervistë për kanalin televiziv në Shqipëri, Vizion Plus, ishte shprehur se krijimi i Maqedonisë “është një projekt i dështuar”, se “shqiptarët që jetojnë atje duhet t’i bashkohen Kosovës, pasi kurrë nuk do të mund të shkojnë mirë me maqedonasit”. Ai sugjeronte që pjesa tjetër e Maqedonisë të bëhet pjesë e Bullgarisë apo e çdo vendi tjetër, me të cilin pretendon të ketë lidhje.

Komentet e ligjvenësit Rohrabacher, që është anëtar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë dhe kryetar i Nënkomisionit për Çështjet Evropiane, ngjallën shqetësime në Shkup. Ministria e Jashtme e Maqedonisë u shpreh përmes një deklarate se komente të tilla “ndezin retorika nacionaliste mes vendeve fqinje dhe kthejnë të kaluarën”.

SHBA kërkon të investohet më shumë në mbrojtjen raketore

Shtetet e Bashkuara duhet të investojnë më shumë në mbrojtjen raketore, marrë parasysh provat e përsëritura nga Irani dhe Koreja e Veriut, tha kreu i Komitetit për Shërbime të Armatosura, pranë Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

Mac Thornberry i bëri këto komente pak ditë pasi administrata Trump ka vendosur sanksione të reja kundër Iranit, për shkak të testimit të një rakete balistike.

“Nëse shohim se çfarë po ndodh në botë – do të përmendja Iranin dhe Korenë e Veriut – rëndësia e mbrojtjes raketore po rritet”, tha Thornberry për gazetarët në Uashington.

“Aktorë në gjithë botën po ndërtojnë raketa që është vështirë të ndalen”, shtoi ai.

Uashingtoni dhe Seuli planifikojnë që këtë vit të ngrenë një sistem të avancuar të mbrojtjes raketore në Korenë e Jugut, për t’iu kundërvënë kërcënimeve në rritje nga Phenjani.

Presidenti Trump viziton CENTCOM

Presidenti Donald Trump premtoi mbështetje të plotë për ushtrinë amerikane në një fjalim që ai mbajti gjatë vizitës në Komandën Qendrore të Shteteve të Bashkuara, CENTCOM, në bazën ajrore MacDill në Tampa të Floridës.

Në fjalimin e shkurtër që mbajti pas një dreke me personelin e ushtrisë, zoti Trump shprehu mbështetje të fuqishme për NATO-n, por shtoi se “ne kërkojmë që të gjitha vendet anëtare të Aleancës të japin kontribut financiar.”

Presidenti foli kundër grupit Shteti Islamik, për të cilin ai the se është angazhuar “në një fushatë genocidi” në mbarë botën. Pa përmendur urdhërat ekzekutivë që ai ka nënshkruar javën e fundit për kufizimin e emigracionit në Shtetet e Bashkuara, zoti Trump tha është përpjekur dhe do të vazhdojë të përpiqet për ta mbajtur larg vendit terrorin islamik radikal.

Kjo ishte vizita e parë në CENTCOM e Presidentit Trump, pas fillimit të detyrës.

Kompanitë amerikane iniciativë ligjore kundër ndalimit të vizave

Google, Apple, Microsoft, Facebook, Twitter, Intel dhe Netflix, pretendojnë se ndalesa për vizat e vendosur nga Trump është në shkelje të ligjeve të emigracionit në vend

NEW YORK -Mësohet se 97 kompani amerikane kanë ndërmarrë një iniciativë ligjore kundër zbatimit të vizave dhe ndalesës së hyrjes në vend, pasi presidenti amerikan Donald Trump kishte vendosur për 7 vendet islame.

Në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar edhe nga drejtuesit e kompanive të mëdha amerikane si Google, Apple, Microsoft, Facebook, Twitter, Intel dhe Netflix, pretendohet se ndalesa për vizat e vendosur nga Trump është në shkelje të ligjeve të migracionit në vend dhe të kushtetutës së SHBA-ve.

Në deklaratë vihet në dukje se dekreti i Trumpit ka krijuar ndryshime të menjëhershme në ligjet amerikane dhe se mund të dëmtojë seriozisht kompanitë amerikane.

Deklarata e nënshkruar nga drejtuesit e kompanive, është paraqitur në Gjykatën e Apelit të rajonit numër 9 në San Francisko.

Ekspertët duke tërhequr vëmendjen se kjo iniciativë ligjore nuk është një padi e hapur kundër Trumpit, kanë theksuar se drejtuesit e kompanive kanë kërkuar që deklarata e nënshkruar të merret në konsideratë nga Gjykata e Apelit.

Rikujtojmë se prokurori federal James Robart i qytetit Seatle në Washington, të premten e kaluar kishte pezulluar ndalesën e vizave të presidentit amerikan Donald Trump. Ndërsa Departamenti Amerikan i Drejtësisë kishte bërë ankimim në Gjykatën e Apelit të San Franciscos për rivendosjen në zbatim të kësaj ndalese, por gjykata për çështjen në fjalë mëngjesin e të dielës kishte refuzuar kërkesën. aa

Kerry, Albright e nxisin Gjykatën ta vazhdojë bllokimin e ndalim udhëtimit të Trumpit

Ish Sekretarët amerikan të Shtetit, John Kerry dhe Madeleine Albright

Ish-sekretarët amerikanë të shtetit, John Kerry dhe Madeleine Albright, janë pjesë e një grupi të demokratëve që i kanë bërë thirrje Gjykatës së Apelit ta vazhdojë ndalimin e aspekteve kyçe të urdhërit kundërthënës ekzekutiv të presidentit Donald Trump për imigrimin, përfshirë edhe ndalimin e hyrjes në SHBA të qytetarëve nga shtatë vende me popullatë kryesisht myslimane dhe pezullimin e gjithë programit të refugjatëve të SHBA-së.

Gjykata e Apelit në Qarkun e nëntë në San Francisko po e shqyrto çështjen pas një gjykatës në Seattle, Washington, vendosi se udhëtarët nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni si dhe refugjatët e verifikuar nga të gjitha shtetet munden, tani për tani, të vazhdojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara

Urdhëri i gjykatësit është kundërshtuar fuqishëm nga Trump, i cili më 5 shkurt ka paralajmëruar se gjykatat mund ta vënë Amerikën në “rrezik”

Dhjetë ish zyrtarë të lartë kanë shprehur shqetësimet e tyre në deklaratën e përbashkët që e kanë dorëzuar në gjykatën e San Franciscos më 6 shkurt, duke thënë se urdhëri ekzekutiv i 27 janarit është i “konceptuar keq, i implementuar dobët dhe sqaruar keq”.

Ata kanë shtuar se urdhëri dëmton sigurinë kombëtare duke thënë se “mund të rrezikojmë përpjekjet tona ushtarake duke dërguar mesazh ofendues” tek irakianët që punojnë me forcat amerikane të cilët janë duke luftuar kundër grupit ekstremist Shteti Islamik.

“Urdhëri ka të ngjarë të ushqejë narracionin e rekrutimit të IS-it dhe ekstremistëve të tjerë që thonë se SHBA-ja është në luftë me Islamin”, thonë ata.

Avokatët e kompanive të njohura amerikane të teknologjisë si Apple, Google dhe Microsoft, gjithashtu kanë dorëzuar argumentet e tyre në Gjykatën e Apelit në San Francisco, duke thënë se urdhëri i Trumpit “shkakton dëm të madh në bizneset amerikane”.

Më 4 shkurt, gjykata e apelit e ka hedhur poshtë kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për rikthimin në funksion të ndalim udhëtimit, me arsyetimin se palët duhet të dorëzojnë argumente shtesë deri më 6 shkurt.

Pas dorëzimit të argumenteve shtesë, gjykata do të dalë shumë shpejtë me vedimin i cili sidoqë të jetë mund të përfundojë në Gjykatën Supreme të SHBA-së.

Kritika ndaj Trumpit për mbështetjen e tij për Putinin

Donald Trump gjatë një paraqitjeje të mëparshme në programin e gazetarit O’Reilly

Presidenti amerikan, Donald Trump, është ballafaquar me kritika nga republikanët dhe demokratët për komentet e tij me të cilat e mbrojti presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një interviste televizive.

Në intervistën e transmetuar mbrëmë, gazetari i rrjetit FOX News, Bill O’Reilly, e pyeti Trumpin se a e respekton Putinin.

Kur Trump tha se e respekton, O’Reilly iu kundërvu duke thënë “por ai është vrasës, megjithatë” dhe ka shtuar se “Putin është vrasës”.

Trump është përgjigjur: “Ka shumë vrasës. Ne kemi shumë vrasës” dhe e ka pyetur gazetarin “çka mendoni, vendi ynë është aq i pafajshëm”?

Këtë çështje e ka komentuar lideri republikan në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Mitch McConnell.

“Nuk mendoj se ekziston barazi me mënyrën se si rusët e udhëheqin vetveten dhe mënyra me të cilën këtë e bëjnë Shtetet e Bashkuara”, tha McConnell.

“Ai është ish-agjent i KGB-së, bandit, nuk është zgjedhur në mënyrën që pjesa më e madhe e njerëzve e konsiderojnë zgjedhje kredibile”, i tha senatori McConnell rrjetit CNN.

Senatori tjetër republikan, Ben Sasse, nga Nebraska, i cili shpeshherë ishte kritik ndaj Trumpit, po ashtu, i ka kritikuar komentet e presidentit amerikan.

“Nuk ka ekuivalencë morale ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit me dashurinë më të madhe për liri në histori të botës, dhe banditëve vrasës, që janë në mbrojtje të nepotizmit të Putinit”, i tha Ben Sasse rrjetit televiziv, ABC.

Ish-ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul, njëherësh këshilltar i ish-presidentit, Barack Obama, komentet e presidentit Donald Trump, i ka përshkruar si “të neveritshme”.

Trumpi dhe Stoltenbergu biseduan për Ukrainën

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar mbrëmë se presidenti amerikan, Donald Trump, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kanë biseduar me telefon për konfliktin në pjesën lindore të Ukrainës.

Mëtutje, në kumtesë theksohet se “është diskutuar potenciali për zgjidhjen paqësore të konfliktit”, në pjesën lindore të Ukrainës, pa dhënë detaje të tjera.

Zoti Trump, i cili në të kaluarën e ka kritikuar aleancën, gjatë bisedës telefonike ka shprehur “mbështetje të fuqishme” për NATO-n, por ka kërkur që aleatët të kontribuojnë më tepër financiarisht.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Donald Trump është pajtuar, që në muajin maj të marrë pjesë në samitin e liderëve të vendeve anëtare të NATO-s në Evropë.

SHBA: Trumpi vazhdon t’i sulmojë gjykatat

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka sulmuar gjykatat federale për të dytën ditë me radhë, pasi gjyqtarët e bllokuan përpjekjen e tij për implementimin e ndalesës kundër hyrjes në Shtetet e Bashkuara për shtetasit e 7 vendeve me popullatë shumicë myslimane dhe për refugjatët.

Mbrëmë vonë, zoti Trump ka tërhequr vërejtjen se gjykatat mund t’i vendosin amerikanët në “rrezik”.

“I kam dhënë udhëzime sigurisë së brendshme për t’i kontrolluar njerëzit që hyjnë në vendin tonë me shumë kujdes”, ka shkruar Donald Trump në rrjetin Twitter dhe ka shtuar se “gjykatat po e vëshirësojnë shumë punën tonë”.

Më 27 janar, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv me të cilin përkohësisht u ndalohet hyrja të gjithë refugjatëve dhe udhëtarëve nga 7 vende, me popullatë shumicë myslimane: Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Ky udhëzim ka shkaktuar protesta në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj.

Më 3 shkurt, gjyqtari federal në Sietël, James Robart, e ka bllokuar këtë urdhër në gjithë vendin, në pritje të shqyrtimit më të gjërë juridik.

Departamenti i drejtësisë i Shteteve të Bashkuara është ankuar kundër këtij vendimi.

Por, vonë më 4 shkurt, një gjykatë e apelit në San Francisko e ka refuzuar ankesën dhe e ka rivendosur ndalesën e zbatimit të urdhërit.

Pence: Irani të mos e testojë përkushtimin e presidentit Trump

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence e ka paralajmëruar Iranin që “të mos e testojë përkushtimin” e administratës së Donald Trump, disa ditë pasi Washingtoni ka vendosur sanksione ndaj republikës islamike si reagim ndaj testimit të një rakete balistike.

Pence e ka bërë paralajmërimin në një intervistë që është bërë sot derisa kanë filluar të rriten tensionet në mes të dy vendeve.

“Irani do të bënte mirë që të shikonte kalendarin dhe të kuptojë se në Zyrën Ovale tani është një president i ri. Dhe, Irani do të bënte mirë që të mos e testojë përkushtimin e presidentit të ri”, ka thënë Pence për “ABC News”.

Parlajmërimi u bë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis e ka quajtur Iranin si “sponsorin më të madh shtetëror të terrorizmit në botë”.

I pyetur nga “ABC News”, se si do i përgjigjej SHBA-ja ndonjë provokimi nga Irani, Pence është përgjigjur: “presidenti ka thënë se çdo opsion do merret parasysh” – përfshirë edhe veprimet ushtarake.

Pence gjithashtu ka thënë se Uashingtoni është duke e kontrolluar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që e obligon Iranin të kufizojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Pence ka thënë se për këtë, presidenti Trump do e marrë një vendim gjatrë ditëve në vijim.

Teherani e ka hedhur poshtë se testimi i raketës balistike e ka shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit që e ka arritur me gjashtë fuqitë botërore, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump flet për marrëdhënien e mundshme me Putinin dhe Rusinë

Presidenti Donald Trump thotë se megjithëse e “respekton” Presidentin rus Vladimir Putin, ata mund të mos kenë domosdoshmërisht një marrëdhënie të mirë.

Në një intervistë për televizionin Fox News, presidenti Trump tha se “është më mirë të kesh marrëdhënie pozitive me Rusinë dhe nëse Rusia na ndihmon në luftën kundër ISISI-it, një luftë madhore dhe në atë ndaj terrorizmit islamik kudo në botë, do të ishte diçka e mirë”. Por ai shtoi se nuk e di nëse do të merret vesh me të.

I pyetur për mizoritë e kryera nga zoti Putin në të kaluarën dhe se si mund ta respektonte presidenti Trump atë, duke njohur historinë, zoti Trump e krahasoi Rusinë me Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump tha se edhe në Shtetet e Bashkuara ka plot vrasës. “Si mendoni ju, se vendi ynë është aq i pafajshëm?” tha ai sipas disa pjesëve të intervistës që Fox News i publikoi, para transmetimit të plotë të saj pas disa orësh.

Kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, iu përgjigj këtyre komenteve në një intervistë për CNN-in, duke thënë se “nuk ka asnjë barazvlerë” mes Shteteve të Bashkuara dhe Putinit.

SHBA, Apeli hodhi poshtë kërkesën e Trumpit për dekretin kundër emigracionit

Gjykata e Apelit në San Francisco refuzoi ankesën dhe kërkoi nga shteti federal Washington si dhe nga administrata e Donald Trumpit që deri të hënën pasdite të dorëzojnë më shumë argumente lidhur me ankesën e tyre

SAN FRANCISCO – Gjykata amerikane e Apelit ka hedhur poshtë të dielën kërkesën e Departamentit të Drejtësisë i cili ka kërkuar që të rivendoset në fuqi rregullorja për ndalesë të hyrjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të refugjatëve dhe shtetasve të shtatë shteteve me shumicë myslimane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të shtunën administrata e Trumpit ankimoi në mënyrë zyrtare verdiktin e gjykatës federale e cila bllokoi ndalesën që e nënshkroi Trump, me të cilën nuk lejohej hyrja në SHBA për shtetasit e shtatë shteteve me popullsi kryesisht muslimane.

Më herët, Trump premtoi se do të kthejë prapa vendimin e lëshuar nga gjykatësi federal, James Robart.

Gjykata e Apelit në San Francisco refuzoi ankesën dhe kërkoi nga shteti federal Washington si dhe nga administrata e Donald Trumpit që deri të hënën pasdite të dorëzojnë më shumë argumente lidhur me ankesën e tyre.

Më 20 janar Donald Trump zyrtarisht mori postin e presidentit të SHBA-ve dhe gjatë javës së parë të detyrës, ai nënshkroi 15 dekrete të cilat i kishte premtuar në fushatë.

Në mesin e tyre është edhe dekreti me të cilën përkohësisht ndalohet hyrja në shtet të refugjatëve dhe qytetarëve nga të ashtuquajturat “shtete që kanë lidhje me terrorizmin”, Iraku, Libia, Siria, Irani, Sudani, Somalia dhe Jemeni.

Trumpi e mbron Putinin, thotë SHBA ka “vrasës” gjithashtu

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka hedhur poshtë përshkrimin e presidentit rus, Vladimir Putin si “vrasës”, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kanë “shumë vrasës”, gjithashtu.

Intervista e plotë do të transmetohet nga televizioni Fox më 5 shkurt, pak para ndeshjes së kampionatit të futbollit amerikan e njohur si “Super Bowl”, ndërsa disa pjesë të saj janë transmetuar mbrëmë.

Në një nga pjesët e transmetuara, intervistuesi Bill O’Reilly e pyet Trumpin nëse ai e respekton Putinin?

“Unë e respektoj atë”, ka thënë ai dhe ka shtuar, “por, unë respektoj shumë njerëz. Kjo nuk do të thotë se do ia kalojë mirë me të”.

“Unë them që është më mirë t’ia kalojmë mirë me Rusinë, dhe nëse Rusia na ndihmon në luftën kundër (militantëve të Shtetit Islamik), që është një luftë e madhe, dhe terrorizmin islamik në tërë botën…kjo është një gjë e mirë”, ka thënë Trump gjatë intervistës.

O’Reilly më pas insiston, “po ai është vrasës, megjithatë. Putin është vrasës”.

“Ka shumë vrasës. Ne kemi shumë vrasës”, reagon Trump dhe shton “Çfarë mendon ti? Vendi ynë është shumë i pafajshëm?”rel

Trump – Poroshenkos: SHBA do punojë ta rikthejë paqen në Ukrainë

Shtëpia e Bardhë njofton se presidenti Donald Trump i ka thënë homologut të tij ukrainas, Petro Poroshenko se Shtetet e Bashkuara do të punojnë që t’i japin fund konfliktit në Ukrainen lindore, afër kufirit me Rusinë.

“Ne do të punojmë me Ukrainën, Rusinë dhe të gjitha palet e përfshira për t’i ndihmuar ata që të rivendosin paqen përgjatë kufirit”, ka thënë Trump ne komunikatën e publikuar.

Njoftimi ka shtuar se të dy liderët kanë diskutuar mundësinë e takimit në të ardhmen e afërt.

Ndërkaq, komunikata e zyres së presidentit Poroshenko thotë se të dy liderët kanë “nënvizuar nevojën urgjente të vendosjes së një armëpushimi të plotë” për tërë rajonin.

Presidenti ukrainas e ka falenderuar Trumpin për “përkrahjen e tij të fuqishme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, thotë më tej komunikata.

Thirrja telefonike ka ndodhur në kohën kur janë shtuar luftimet në mes të trupave ukrainase dhe separatistëve pro rusë që gjatë një jave të eskalimit ka marrë jetën e 35 personave.

Ukraina ka shprehur shqetësimin se Trump mund të heq disa prej sanksioneve që i janë vendosur Rusisë pasi Moska e aneksoi ilegalisht gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Trump rregullisht ka shprehur dëshirën për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën. Biseda telefonike është bërë një javë pas telefonatës që Trump e ka pasur me presidentin rus, Vladimir Putin.

Më 2 shkurt, ambasadorja e re e SHBA-sënë OKB, Nikki Haley ka “dënuar ashper veprimet e Rusisë” në Ukrainën lindore dhe ka paralajmëruar se sanksionet ndaj Rusisë që kanë të bëjnë me Ukrainën nuk do të hiqen derisa Krimea t’i kthehet Kievit.

“Krimea është pjesë e Ukrainës. Sanksionet tona që kanë të bëjnë me Krimenë do të mbesin në fuqi derisa Rusia ta dorëzojë kontrollin mbi gadishullin te Ukraina”, ka thënë ajo.

Së paku 9800 njerez janë vrarë prejse ka filluar konflikti në Ukrainën lindore, në prill të vitit 2014.

Kongresisti Dana Rohrabacher në letër Nikoliçit: Ndryshoni kufijtë Kosovë-Serbi

 

Kongresisti Dana Rohrabacher hedh në tryezë shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës

Kongresisti Dana Rohrabacher, Kryetari i Nënkomitetit mbi Evropën, Euroazinë dhe Kërcënimet e Reja në Kongresin Amerikan Letër Nikoliçit: Tensionet, ndryshoni kufijtë Kosovë-Serbi/
Lidhja Qytetare Shqiptare Amerikane, me në krye Joe dhe Shirley Dioguardi, lobi më i fuqishëm shqiptaro-amerikan në SHBA u takua me Kongresistin Dana Rohrabacher pas përplasjeve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e arrestimit të Haradinajt dhe atë të trenit.

Kongresisti Dana Rohrabacher që është  Kryetari i Nënkomitetit mbi Evropën, Euroazinë dhe Kërcënimet e Reja në Kongresin Amerikan sjell sërish në vëmendje idene e shkëmbimit të territoreve dhe kufijve në veri.

Kongresmeni që letrën presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliç, që Voal e ka botuar letrën, duke nxjerrë në pah provokimet serbe ndaj Kosovës thekson:

“Një tjetër shembull negativ së fundmi ishte treni me shkrime provokuese që u nis drejt veriut të Kosovës. Në vend që të përpiqeni që të fusni Kosovën në një luftë për sovranitetin e saj, në një zonë me shumicë popullsie serbe, të dyja palët duhet të kërkojnë një ndryshim të kufirit verior, që ka dobi të ndërsjelltë dhe do të rezultonte me më tepër serbë në Serbi dhe me më tepër kosovarë në Kosovë. Ky opsion është në dispozicion dhe nuk duhet të injorohet.”

Ligjvënësi amerikan, nënvizon se në letrën drejtuar Presidentit serb Nikoliç se arrestimi i Haradinajt, me një mandat te vjeter 13-vjeçar, është minim sigurisë të paqes dhe stabilitetit në rajon:

“Përpjekja për të burgosur Haradinajn si “kriminel lufte”, pasi ai është shpallur dy herë i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, është joproduktive dhe ngacmon një plagë të vjetër që po shkon drejt shërimit. Veprime të tilla hakmarrëse e të paarsyeshme padyshim që do të minojnë përpjekjet për sigurimin dhe ruajtjen e paqes në Ballkan.”

Kongresmeni Rohbaher, në mesazhin e fortë për kryetarin e shtetit serb, jep alarmin se veprime të tilla mund të çojnë në hapjen e kutisë së pandorës:

“Goditja ndaj një udhëheqësi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund edhe të hapë rrugën për sulme të ngjashme ligjore ndaj udhëheqësve serbë të përfshirë në gjakderdhje dhe spastrim etnik gjatë konfliktit të shëmtuar dhe brutal që ka përfshirë Ballkanin pas rënies së Jugosllavisë. Përderisa po ndodhin veprime të tilla, shtohet mundësia e prishjes së rendit publik dhe madje për shpërthimin e dhunës në një shkallë të pakontrollueshme. Në vend të nxitjes së zjarreve të konfliktit, të gjitha palët në Ballkan duhet të kërkojnë pajtim, nga i cili do të përfitonte i tërë rajoni.”

Kongresmeni Rohrabacher njihet si një prej njerëzve që e ka përkrahur fort ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës, duke e ngritur zërin fuqishëm në Kongresin amerikan ne mbrojtje te kauzes shqiptare. Liga Shqiptare Shqiptaro-Amerikane ka mbajtur lidhje të forta me atë dhe anëtarë të tjerë të Kongresit dhe Senatit Amerikan.

SHBA, Departamenti i Shtetit anulon ndalimin e vizave për të huajt

Personat që kanë qenë të përfshirë në vendimin e Trumpit dhe që kanë vizë mund të udhëtojnë në SHBA

WASHINGTON – Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se të shtunën është nisur një proces për anulimin e mosdhënies të vizave për të huajt, pasi gjykatësi federal të premten pezulloi vendimin ekzekutiv të presidentit Donald Trump rreth emigracionit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Departamenti i Shtetit thekson se më shumë se 60 mijë të huaj nga shtatë vendet me shumicë myslimane që kishin viza “janë marrë përkohësisht” në përputhje me vendimin e Trumpit për mos lejim të udhëtimit në SHBA.

Departamenti i Shtetit thotë se kanë filluar të punojnë rreth kthimit të vizave, pasi që Departamenti i Drejtësisë është informuar për vendimin e gjykatësit federal. Më tej shtohet se personat që kanë qenë të përfshirë në vendimin e Trumpit dhe që kanë vizë mund të udhëtojnë në SHBA.

Vendimi i gjykatësit federal bllokon përkohësisht urdhrin ekzekutiv të Trumpit

Një gjykatës federal në shtetin e Uashingtonit vendosi të premten të bllokojë përkohësisht urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump që ndalon hyrjen e udhëtarëve nga shtetë vende me shumicë myslimane. Presidenti amerikan reagoi nëpërmjet Twitterit se vendimi i gjykatësit është “qesharak” dhe se zotohet ta shfuqizojë.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit konfirmoi për Zërin e Amerikës sot se personat me viza të vlefshme do të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Dhe Departamenti për Sigurinë Kombëtare, në përputhje me urdhrin e gjykatësit tha sot se do të ndërpresë ndalimin e udhëtarëve nga disa vende që ishin në qendër të urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump.

Gjykatësi federal i Distriktit të Shtetit të Uashingtonit, James Robart, vendosi të premten se shtetet e Uashingtonit dhe të Minesotës kanë të drejtë ligjore për të kundërshtuar urdhërin ekzekutiv të presidentit Donald Trump.

“Gjykata arrin në përfundimin se hyrja e të përshkruarve më sipër është e nevojshme dhe ky është vendimi i shtetit” tha gjykatësi Robart.

Agjencia federale për Mbrojtjen e Kufirit tha se do të veprojnë në përputhje me vendimin.

“Vendimi i gjykatësit Robart hyn në fuqi menjëherë dhe i vë një ndalesë urdhrit jokushtetues dhe të paligjshëm ekzekutiv të presidentit Trump”.

“Në sallën e gjyqit nuk mbizotëron zëri më i lartë, por kushtetuta”, i tha gazetarëve prokurori i përgjithshëm i shtetit të Uashingtonit Bob Ferguson.

Shtëpia e Bardhë më pas të premten lëshoi një deklaratë duke thënë se Departamenti i Drejtësisë “sa më shpejt të jetë e mundur” do të bëjë kërkesë për “një ndalesë emergjente të këtij vendimi revoltues”. Menjëherë paskëtaj, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë të dytë pa fjalën “revoltues”. Deklarata gjithashtu mbrojti urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump si “të ligjshëm dhe të përshtatshëm”.

Urdhri ekzekutiv i presidentit, i cili ndalon hyrjen e njerëzve që kanë viza dhe janë nga Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni, shkaktoi protesta në aeroportet e qyteteteve të mëdha të Shteteve të Bashkuara. Zoti Trump thotë se masa është e nevojshme për të mbrojtur sigurinë e popullit amerikan nga terroristët.

Avokatët e Departamentit të Drejtësisë thonë se më shumë se 100 mijë viza janë anuluar si rezultat i urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump, ndërkohë që Departamenti i Shtetit thonë se ishin më pak se 60 mijë viza që u anuluan.

Qeveria e shtetit të Uashingtonit e bëri kërkesën për sfidën ligjore më parë kësaj jave, dhe shteti i Minesotës iu bashkua padisë. Raste të tjera janë paraqitur në gjykata amerikane dhe aktualisht pritet për vendimet.

Letra që Kongresmeni Rohrabacher do t’i dërgojë Presidentit të Serbisë Nikoliq për Ramush Haradinajn

Në foto lobisti i njohur Luan Bukolla me Kongresmenin Dana Rohrabacher

 

Lobisti i njohur Luan Bukolla, pranë Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane me kryetar ish-Kongresmenin Joe DioGuardi sjell letrën që Kongresmeni Amerikan do t’i dërgojë Serbisë duke protestuar për ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë.

Ai shkruan në rrjetin social se ka qenë bashkë me Joe DioGuardin dhe zonjën e tij Shirley Cloys DioGuardi në një takim të organizuar nga LQSHA me Kongresmenin Republikan Dana Rohrabacher, i cili është Kryetari i Nënkomitetit mbi Evropën, Euroazinë dhe Kërcënimet e Reja në Kongresin Amerikan. Anëtarët e Këshillit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane në New York e organizuan këtë takim për të ndarë bashkë me Kongresmenin Republikan shqetësimin në lidhje me veprimet e fundit agresive nga Serbia ndaj Kosovës.

Shkak për arrestimin në Francë i ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj, ishte një urdhër arresti, trembëdhjetë-vjeçar, i iniciuar nga Qeveria Serbe.

Kongresmeni Rohrabacher ka rënë dakord për t’i dërguar një leter të fortë në Beograd Presidentit Tomislav Nikoliq.

Letra që Kongresmeni Rohrabacher  do t’i dërgojë Nikoliqit është në dy variante shqip dhe anglisht që ne po ua sjellim lexuesit të nderuar.

Shqiptarët, plebishit online në mbrojtje të Donald Lu-së

Pas akuzave të rënda që i janë bërë Donald Lu-së nga kryeprokurori Adriatik Llalla, por edhe nga qarqe të lidhura politikisht që kanë kundërshtuar reformën në drejtësi, shqiptarët kanë dhënë një përgjigje të fortë në mbrojtje të kryediplomatit amerikan në Tiranë.

Në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Facebook ka patur një referendum të vërtetë përkrahjeje, që shtohet çdo moment.

Një lumë pëlqimesh, shpërndarjesh dhe komentesh, të cilat kanë bërë që postimi i ambasadës me shprehjen “SHBA nuk dorëzohet” të kthehet në lajtmotivin e ditës.

Sipas një vëzhgimi, deri në orën 00:00 të ditës së sotme, në postimin e ambasadës ka pasur 5400 pëlqime, 911 shpërndarje, dhe gati 671 komente në mbështetje të ambasadorit amerikan në Tiranë, raporton Tesheshi.

Ajo që bie në sy është se të gjitha komentet janë me llogari Facebook-u të identifikuara me emër dhe mbiemër.

Krejt ndryshe nga ata të cilët e sulmojnë, që janë përgjithësisht anonimë dhe me adresa Facebook-u të rreme.

Ja ç’shkruan një qytetar që identifikohet qartësisht:

“Z. Ambasador, kjo do jete lufte sh. e eger….mos hezitoni te therisni edhe nen arme po te jete nevoja bijte me te mire te ketij vendi per te mbrojtur te ardhmen e femijeve dhe demokracine ne kete vend te pushtuar….

.Faleminderit Zoti ju bekofte ju Zoti e bekofte Ameriken,Zoti e bekofte Shqiperine.”

Ndërkaq, një intelektual i njohur në vend, Bujar Kokonozi, i cili njihet si person jo i ndikuar nga politika, hap serinë e komenteve:

“Respekt per amb. Donald Lu. Ti kundervihesh njerezve qe LIGJIN duhet ta zbatojne te paret per pozicionet qe mbajne eshte MBIVLERE.

Turpi i mbetet asaj pjese te politikes shqiptare qe bejne kompromise me keta njerez te pacipe per interesa te tyre.”

Edhe në faqet online të portaleve shqiptare, mbështetja ndaj ambasadorit amerikan ka qenë plebishitare.

Vetëm në faqen e gazetës TemA, ka pasur me mijëra komente në mbështetje të ambasadorit amerikan.

 


Send this to a friend