VOAL

VOAL

ZËRI I AMERIKËS – BAJDEN: SHBA QËNDRON ME UKRAINËN PËR TA LUFTUAR AGRESIONIN RUS

 

Nga Isabela Çoçoli

 

VOAL – Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në krah të Ukrainës për të luftuar agresionin rus, që e ka vënë në rrezik sigurinë evropiane, tha nënpresidenti amerikan Xho Bajden të mërkurën.

Duke folur në Institutin Brookings në Uashington, Bajden tha se mbështetja ndaj Ukrainës është e rëndësishme për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e sigurisë evropiane dhe për të ardhmen e rendit ndërkombëtar.

“Për sa kohë që udhëheqësit e Ukrainës do të vijojnë me projektin e reformës, SHBA do të vazhdojë të qëndrojë me ta,” tha Bajden. Sanksionet amerikane ndaj Rusisë duhen dhe do të vazhdojnë deri sa marrëveshja e Minskut të zbatohet plotësisht, shtoi Bajden.

Marrëveshja e Minskut, që u arrit në shkurt nga Franca, Gjermania, Rusia, Ukraina dhe separatistët pro-Rusi, bëri thirrje për një armëpushim dhe tërheqje të trupave të huaja dhe të armëve të rënda me qëllim arritjen e një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit në Ukrainë.

Fokusi i SHBA do të jetë direkt në trajtimin e tragjedisë humanitare krijuar nga agresioni rus, tha Bajden.

Është një nga fjalimet e formuluara më fuqishëm dhe me tone të forta nga ana e një zyrtarë i lartë amerikan, ku nënpresidenti tha se “Rusia po ndërmerr hapa për të minuar fqinjët e saj evropiane dhe për të forcuar pozitën e saj hegjemoniste”, të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi dënojnë fuqishëm.

Që prej marrjes së presidencës ruse, Vladimir Putin ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme, tha Bajden. Ai tha se Putin kishte treguar përbuzje për sovranitetin e fqinjëve të Rusisë, dhe për këtë arsye “bota duket më ndryshe sot se ajo  para se Putini të merrte presidencën… Sepse ka ndryshuar, prandaj është në fokusin tonë dhe ne do të vazhdojmë ta ekspozojmë Rusinë në botë. “

Bajden tha gjithashtu se vizioni i Putinit “ka shumë pak për t’i ofruar popullit rus, përveç miteve” dhe prandaj është i dënuar të dështojë. /VOA

ULRICH KÜHN – NATO KA DEFICITE NË MBROJTJE

Manovër nga ajri e NATO-s në Lituani

Në Europën veriore kanë filluar manovrat e përbashkëta të gjashtë vendeve të NATO-s me shtete neutrale. Eksperti i sigurisë, Ulrich Kühn flet mbi efektin dhe rëndësinë e kësaj manovre ushtarake.

DW: Zoti Kühn manovrat perëndimore konsiderohen “si nga më të zgjeruarat e llojit”. Sa rëndësi kanë ato?

Ulrich Kühn: Për këtë manovër ekzistojnë tre argumenta: Së pari: NATO kërkon t’i dërgojë një sinjal Putinit se aleanca si në aspkeitn ushtarak edhe politik e ka vullnetin që të respektojë detyrimet e saj për anëtarët e aleancës, pra edhe për tre vendet balltike. Së dyti: Me të dërgohet një sinjal tek partnerët lindorë, që aleanca është e gatshme t’i mbrojë ata në çdo kohë, edhe kundër një agresioni të mundshëm rus. Së treti: Trupat duhen stërvitur për sfida të reja ushtarake, si për shembull për stilin “hibrid” të luftës që po përdor Rusia në Krime dhe Ukrainën lindore. Në këtë drejtim duhet vepruar. Në këtë kuptim manovra mund të konsiderohet si shumë e rëndësishme.

Çfarë nënvizimi të ri merr kjo manovër, kur në të marrin pjesë edhe vende neutrale, si Finlanda, Suedia, apo Zvicra?

Duhet thënë se Finlanda dhe Suedia ndjehen të rrezikuara nga manovrat e fundit ruse. Kështu herë pas here gati shkelet hapësira ajrore nga aviacioni rus. Kështu ka zëra tani në Finlandë dhe Suedi që kërkojnë futjen në NATO. Kjo i sinjalizon Rusisë që ajo nuk perceptohet më si një partner i besueshëm, por si kërcënim serioz. Në tërësi mund të thuhet se vihet re një militarizim i ri i sigurisë europiane.

A nuk është disi qesharake deklarata zyrtare se bëhet fjalë për një stërvitje për një mision të OKB-së, kur çdokush e di se arsyeja e vërtetë është kërcënimi rus?

Këto manovra i drejtohen qartë Rusisë. Sinjali është: “Rusia po mpreh shpatën, por ne jemi gati”. Arsyetimi me një ushtrim relevant për OKB-në është thjeshtë fasada. Me sa duket nuk do t’i japë më njeri Putinit raste të tjera për propagandë mediatike. Sinjali ushtarak është shumë i qartë.

Deutschland Ulrich Kühn Institut für Friedensforschung und Sicherheitspolitik Uni Hamburg Eksperti Ulrich Kühn

Rusia nga ana e saj ka reaguar me demonstrim ushtarak. Janë këto manovra rruga e duhur për të vepruar me rrezikun që vjen nga Rusia, nuk tensionohen kështu edhe më shumë marrëdhëniet me Rusinë?

Këto manovra janë të justifikuara për gjendjen aktuale. Madje vetë koha, gjendja e brishtë mes emergjencës ushtarake dhe përgjegjësisë policore, kur “uniformat e gjelbra”, pra njësi speciale të paidentifikuara kalojnë në kufi, kërkon masa të reja dhe të përshtatshme. Njëra nga manovrat e NATO-s në Letoni lidhet pikërisht me një skenar të tillë. Mendoj se është gjëja e duhur t’i tregosh Rusisë se nuk ka asnjë shans të veprojë në vendet baltike ashtu si në Ukrainë. Por në plan afatgjatë dhe të mesëm NATO duhet të ndërtojë ura komunikimi me Rusinë. Pra, si në kohën e Luftës së Ftohtë: Nga njëra anë oferta serio´ze bashëkpunimi, nga ana tjetër gatishmëri realiste për mbrojtje. Për fat të keq është Rusia që prej më shumë se një viti po e rrotullon spiralen drejt shkallëzimit.

Sa të rrezikuara janë vërtet vende si ato baltike, Estonia, Letonia, Lituania apo vendet jo anëtare, si Suedia apo Finlanda?

E parë në mënyrë realiste, Rusia nuk mund t’i rrezikojë seriozisht tre vendet baltike, Estoni, Letoni, Lituani. Në rastin më ekstrem- një shkëmbim nuklear – SHBA duhet të jetë gati të “këmbejë” Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin me Talinin, Rigën dhe Vilnën. Edhe pse ky qëndrim të duket shumë i ekzagjeruar, ai i përgjigjet logjikës së kërcënimit. Edhe Rusia e di këtë. Por në të njëjtën kohë ajo ia ka dalë me sukses të veprojë në një zonë gri, pa e kaluar pragun e një lufte të hapur. Në këtë pikë NATO ka deficite në mbrojtje, dhe tre vendet baltike e kanë vënë re me kujdes këtë mangësi në aleancën e përbashët. Këtu NATO duhet të përmirësohet.

A mendoni se Suedia dhe Finlanda do të bëhen pjesë e NATO-s?

Për Suedinë dhe Finlandën nuk shoh ndonjë kërcënim direkt rus. Por si në kohën e Luftës së Ftohtë të dyja vendet gjenden në hapësirën e influencës së Rusisë, gjë që i bën ato potencialisht objektiva të lojërave ushtarake. Por t’i bësh këto vende tani pjesë të NATO-s do të thotë të dërgosh një sinjal shumë të gabuar tek Moska. Edhe në këto vende nuk ka ndonjë shumicë që e kërkon këtë anëtarësim. Por opinionet politike mund të ndryshojnë shumë shpejt.

Ulrich Kühn është ekspert për marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë në Institutin për Studimet e Paqes dhe Politikën e Sigurisë në Universitetin e Hamburgut.

FIFA DHE SKANDALI I RI I KORRUPSIONIT

 

SHBA, Zvicër, akuza për korrupsion kundër zyrtarëve të FIFA-s

Në prani të drejtorit të FBI-së James Comey dhe shefit të hetimeve të Agjencisë amerikane Tatimore, IRS, Richard Weber, Prokurorja e Përgjithshme Loretta Lynch njoftoi akuzat dhe arrestimet e një grupi individësh në kuadër të një hetimi të gjatë lidhur me mitdhënie dhe korrupsion në botën e futbollit. Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza kundër zyrtarëve të lartë aktualë apo të mëparshëm të organit që qeveris futbollin në shkallë globale.

Prokurorja e Përgjithshme, Loretta Lynch tha se ndër të akuzuarit ka individë që kishin përgjegjësi që nga mbështetja e lojës së futbollit në nivele lokale e deri tek organizimi i aktiviteteve globale:

 “Shumë nga individët dhe organizatat për të cilat bëhet fjalë, kishin mbi vete besimin për ta mbajtur futbollin të hapur për të gjithë. Ata kishin përgjegjësinë të rëndësishme në çdo nivel: për projekte që nga ndërtimi i fushave të futbollit për të luajtur fëmijët në komunitete, e deri tek organizimi i kampionatit botëror”.

Atyre u ishte besuar detyra për të zbatuar rregullat që garantojnë një futboll të ndershëm dhe ndeshje me integritet. Por ata e korruptuan biznesin e futbollit për interesa vetjake dhe përfitime monetare personale, u shpreh zonja Lynch.

Prokurorja e Përgjithshme tha se ka kërkuar ekstradimin nga Zvicra të nëntë individëve të arrestuar nga autoritetet zvicerane në kuadër të hetimeve. Departamenti amerikan i Drejtësisë, shtoi ajo, është i vendosur t’u japë fund këtyre praktika dhe të zhdukë korrupsionin në futboll. Ndër 14 individët ndaj të cilëve u shpallën sot akuza ka zyrtarë të lartë të FIFA-s, drejtues të organeve rajonale nën rrjetin e FIFA-s dhe drejtues të kompanive të marketingut, të cilët akuzohen se kanë paguar miliona dollarë për të siguruar privilegje marketingu gjatë aktivitetev sportive të organizuara nga FIFA.

Prokurorja e përgjithshme përmendi tre nga të akuzuarit, të cilët kanë rënë dakord të kthejnë 150 milionë dollarë, të siguruara përmes afereve korruptive.  Aktpadia, sipas zonjës Lynch, mbulon një aktivitet të paligjshëm që diktonte cilët kanale do të transmetonin ndeshjet, ku do të zhvilloheshin ndeshjet dhe kush do ta drejtonte organizatën.

Ndërkohë procesi hetimor nga autoritetet zvicerane e akuzon FIFA-n për parregullsi në zgjedhjen e vendeve organizatore për Kupat e 2018 dhe 2022. Në Zyrih janë arrestuar një numër zyrtarësh të organizatës. Megjithë akuzat, drejtori i komunikimit për FIFA-n thotë se kupat e 2018 dhe 2022 do të zhvillohen në Rusi dhe Katar, në përputhje me planet ekzistuese.

Në një konferencë për shtyp në Gjenevë, Drejtori i FIFA-s për Komunikimin Walter De Gregorio tha se gjithsesi ky është një zhvillim pozitiv për organizatën:

“Kjo është një gjë e mirë për FIFA-n. Nuk është mirë për imazhin e organizatës, por do të shërbejë pozitivisht për procesin e reformave”.

Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter nuk është ndër zyrtarët e akuzuar. Ai ka në plan të paraqesë të premten kandidaturën për një mandat të ri në post.

Njoftimi është pritur me shok. Presidenti i ligës franceze të futbollit Frederic Thiriez tha se arrestimet ishin një goditje ndaj imazhit të ligës.

“Sot në mëngjes u shokova thellësisht, si të gjithë ju, si e gjithë bota. Mbi të gjitha ndjej një keqardhje të madhe për imazhin që i jep ky skandal futbollit. Mos harroni se lufta kundër korrupsionit në Francë është një ndër synimet parësore për mua, si në rastin e akuzave për manipulimin e rezultatit të ndeshjeve në Nim. Nëse vërtetohen akuzat për dhurata dhe korrupsion, do të ishte një situatë shumë serioze dhe dëshiroj që policia dhe drejtësia në Zvicër ta çojnë deri në fund procesin”.

Zoti De Gregorio tha se nuk do të ketë ndryshime në kampionatet e planifikuara, pavarësisht nga akuzat e ngritura. za

JACOBSON – KORRUPSIONI, SFIDA MË E MADHE E KOSOVËS

 

Ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson i bëri këto komente gjatë ceremonisë së diplomimit të 116 studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë.

Përfaqësues të institucioneve arsimore dhe organizatave ndërkombëtare, thanë sot në Prishtinë se Kosova ndodhet në një epokë të re të zhvillimit të saj si një faktor pozitiv politik dhe ekonomik në rajon, por ajo përballet me sfida të mëdha siç është lufta kundër korrupsionit.

​​

Ata i bënë këto komente gjatë ceremonisë së diplomimit 116 të studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, një ndër institucionet e para të arsimit të lartë jo publik në Kosovë, i themeluar në vitin 2003.

Presidenti i këtij universiteti Winfred Thompson, tha se dita e sotme shënon mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një kapitulli të ri në jetën e të diplomuarve.“Çdo vend ka nevojë për talentet më të mira të reja dhe kjo vlen posaçërisht për vende të reja si Kosova ku e ardhmja premton shume por bart në vete edhe shumë rreziqe”, tha ai duke shfaqur shpresën që arsimimi në Universitetin amerikan e ka forcuar përkushtimin e të rinjve për të punuar jo vetëm për suksesin personal por edhe për përmirësimin e vendit dhe shoqërisë.

​Oratorët nënvizuan rolin e këtij Universiteti në një periudhë thelbësore për të ardhmen e Kosovës. Richard Lukaj, kryetar i Bordit të Universitetit i ndau mirënjohje ambasadores amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson për punën e saj në shërbim të një botë më të sigurt, më demokratike e përparimtare dhe në interes të popullit amerikan dhe komunitetit ndërkombëtar.

Ambasadorja amerikane vlerësoi arritjet e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, por tërhoqi vërejtjen edhe në sfidat që ndodhen para saj, duke vënë theksin tek korrupsioni.

“Dua ta nënvizoj këtë çështje tani sepse korrupsioni sipas meje pas tre vjet qëndrimi këtu është sfida më e madhe me të cilën përballet ku vend”, tha ajo, duke u bërë thirrje të diplomuarve që të punojnë për të mirën e vendit të tyre, duke shfrytëzuar mundësitë dhe arsimimin e fituar në këtë universitet.

Universiteti Amerikan në Kosovë u themelua në vitin 2003 me synimin për të ofruar një edukim të cilësisë së lartë amerikane, për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës. Por, gjatë këtyre viteve në këtë institucion kanë studiuar edhe të rinj nga vende tjera të rajonit. za

PRESIDENTI OBAMA KRITIKON ‘SJELLJEN AGRESIVE’ TË RUSISË

 

VOAL – UASHINGTON – Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama kritikoi qëndrimin “gjithnjë e më agresiv të Rusisë” ndaj Ukrainës, ku forcat qeveritare janë duke luftuar separatistët pro-rusë në lindje, qysh në prill të vitit të kaluar.

“Kemi pasur rastin të diskutojmë për situatën në Ukrainë dhe për sjelljen gjithnjë e më agresive që ka marrë Rusia”, ka thënë Obama, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Shtëpinë e Bardhë.

Ai po ashtu i ka bërë thirrje Rusisë që “të ndalojë mbështetjen e separatistëve dhe të tërheqë të gjitha forcat e saj nga Ukraina”.

Vendet perëndimore dhe NATO-ja akuzojnë Rusinë se mbështet rebelët në Ukrainë me armë dhe trupa, por Moska i hedh poshtë këto akuza. rel

SHBA KRITIKON GJYKIMIN E GAZETARIT TË WASHINGTON POST

VOAL – UASHINGTON – Shtetet e Bashkuara kritikuan “mungesën e plotë të transparencës” në gjykimin e korrespondentit të gazetës Washington Post, Jason Rezaian, i cili u arrestua në Iran, gati dhjetë muaj më parë, nën akuzat që përfshijnë spiunazhin.

Zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Bernadette Meehan, i ka bërë këto komente sot, kur edhe ka nisur gjykimi me dyer të mbyllura i Rezaianit në Teheran.

“Përderisa bëjmë thirrje që ky gjykim të jetë i hapur, po ashtu theksojmë se Jason nuk do të duhej kur të arrestohej apo gjykohej”, ka thënë Meehan.

Rezaian, me shtetësi amerikane dhe iraniane, mund të përballet me 20 vjet burgim nëse shpallet fajtor.

Rezaian, i cili është shef i byrosë së gazetës WP në Teheran, ka qenë në burgun famëkeq Evin prejse është arrestuar në muajin korrik dhe raportohet se ka humbur 18 kg.

Ai është arrestuar së bashku me gruan e tij në shtëpinë e tyre në Teheran, por ajo është liruar me kusht dhe do të gjykohet ndarazi. rel


Send this to a friend