VOAL

VOAL

Trumpi nënshkroi urdhërin e ri ekzekutiv për emigracionin

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër të ri ekzekutiv, që pezullon përkohësisht pranimin e refugjatëve dhe ndalon hyrjen në vend të njerëzve nga gjashtë vende me shumicë myslimane

Urdhri është një version i rishikuar i atij të nënshkruar nga presidenti në fund të janarit, që argumentonte se ndalimi i përkohshëm ishte i nevojshëm për të rishikuar procesin e kontrolleve të personave që hyjnë në vend si dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Urdhri ndalonte hyrjen në Shtetet e Bashkuara të personave nga Iraku, Irani, Siria, Libia, Jemeni, Somalia dhe Sudani.

Zyrtarët thanë se urdhri i ri e heq Irakun nga lista, por vendet e tjera do të mbeten në të.

Ndalimi i përkohshëm i refugjatëve do të përfshihet edhe në urdhrin e ri, por dokumenti i ri nuk veçon sirianët për një ndalim të papërcaktuar.

Urdhri ekzekutiv po shqyrtohej prej disa javësh.

Një gjykatë federale e apelit ndaloi zbatimin e urdhrit fillestar, një vendim që administrata Trump ka vazhduar ta kundërshtojë ndërsa harton versionin e rishikuar. Sfidat ligjore të ngritura nga disa shtete mund ta çojnë çështjen deri në Gjykatën e Lartë.

Nuk ka dëshmi për vandalizimin e varrezave hebreje në New York

Policia e New Yorkut pas konsultimeve me drejtuesit e administratës së varrezave në Washington në Brooklyn, njoftoi se gurët e varreve janë përmbysur mes tjerash, për shkak të mosmirëmbajtjes së gjatë të varreve dhe erozionit të tokës

NEW YORK – Departamenti i Policisë në New York (NYPD) pohon se nuk janë gjetur dëshmi për vandalizm në varrezat kryesisht hebreje ku u përmbysën 42 gurëvarre.

Policia e New Yorkut pas konsultimeve me drejtuesit e administratës së varrezave në Washington në Brooklyn, njoftoi se gurët e varreve janë përmbysur mes tjerash, për shkak të mosmirëmbajtjes së gjatë të varreve dhe erozionit të tokës.

Që nga fillimi i vitit mbi varrezat hebreje kanë ndodhur disa akte vandale në serinë e sulmeve anti-Semite.

Bashkësia hebreje ka pranuar 122 kërcënime për bomba. Autoritetet amerikane të premten arrestuan Juana Thomsona, ish-gazetar, i akuzuar për së paku tetë kërcënime drejtuar institucioneve hebreje në mbarë vendin. aa

FBI: Të refuzohen pretendimet e Trumpit për Obamën

Zyrtari i lartë ka vënë në dukje se Comey në deklaratën e tij është shprehur se “ky është një pretendim i madh, gabim dhe duhet të rregullohet”

UASHINGTON – Kryetari i Byrosë Federale të Hetimeve të SHBA-ve, James Comey, Departamentit amerikan të Drejtësisë i ka kërkuar që të refuzojë publikisht pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se ish-presidenti Barack Obama ka përgjuar bisedat telefonike të tij.

Shtypi amerikan thirrjen që Comey i ka bërë Departamentit të Drejtësisë rreth pretendimeve të Trumpit e ka raportuar duke u bazuar në të dhënat e një zyrtari të lartë amerikan emri i të cilit nuk është bërë i ditur.

Zyrtari i lartë ka vënë në dukje se Comey në deklaratën e tij është shprehur se “ky është një pretendim i madh, gabim dhe duhet të rregullohet.”

Ndërsa FBI-ja dhe Departamenti amerikan i Drejtësisë ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë në lidhje me çështjen.

Në mesazhin e publikuar në llogarinë e tij në Twiter, Trump duke vënë në objektiv Obamën ishte shprehur se “Shumë keq. Kam mësuar se Obama pak para fitores tonë ka përgjuar Trump Tower. Nuk është gjetur asnjë gjë. Si ka mundësi që presidenti Obama është ulur aq shumë sa të përgjojë telefonatat në procesin zgjedhor që është shumë i shenjtë. Kjo është Nixon/Watergate. Njeri i keq ose (i sëmurë)”.

Ndërsa Obama nëpërmjet zëdhënësit të tij, Kevin Lewis i është kundërpërgjigjur Trumpit duke u shprehur “Presidenti Obama dhe asnjë zyrtar nga Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ndonjë urdhër për përgjimin e asnjë qytetari amerikan. Mendimet jashtë kësaj janë të gabuara.” aa

Clapper: Nuk ka pasur përgjim të fushatës Trump

Ish-drejtori i inteligjencës kombëtare amerikane, James Clapper, i ka hedhur poshtë pretendimet për çfarëdo përgjimi ndaj fushatës zgjedhore të Donald Trumpit.

“Nuk ka pasur aktivitet të tillë të përgjimit kundër presidentit, atëherë presidentit të zgjedhur, e as të kandidatit, ose kundër fushatës së tij”, tha ish-drejtori i inteligjencës kombëtare të Shteteve të Bashkuara, James Clapper, mbrëmë vonë në intervistën për rrjetin NBC.

Më herët gjatë ditës, presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar nga Kongresi amerikan të shqyrtojë nëse administrata e ish-presidentit, Barack Obama, i ka kqepërdorë “fuqitë hetuese” gjatë fushatës së vitit 2016.

Një zëdhënës i ish-presidnetit Obama i ka hedhur poshtë këto pretendime si “thjesht të falsifikuara”.

Ish-Presidenti Bush nderon veteranët me portretet e pikturuara prej tij

Që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2009, ish-Presidenti George W. Bush ka refuzuar t’i shfrytëzojë mundësitë për të kritikuar pasardhësit e tij dhe ka shmangur ndërhyrjen në politikat e brendshme dhe të jashtme. Por, siç njofton Kane Farabaugh e Zërit të Amerikës, ai është një mbështetës i apasionuar i ushtarakëve veteranë. Ai e ka shndërruar telajon e pikturës në një mjet për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të mbledhur fonde për të ndihmuar tranzicionin e ushtarakëve drejt jetës civile dhe për t’ua lehtësuar atyre lëndimet e luftës.

Kur Johnnie Yellock u fut në Forcat Ajrore amerikane, ai e dinte se detyra e tij do ta vendoste shpesh në rrezik.

“Ne dolëm vullnetarë në kohë lufte. E dinim saktësisht se me çfarë do të përballeshim. Isha i përgatitur të vdisja për vendin tim”, thotë Johnnie.

Por, lufta ndryshon edhe planet më të mirëpërgatitura, siç bëri dhe me të.

Gjatë një misioni në Afganistanin lindor në vitin 2011, automjeti i tij hasi në një paisje shpërthyese të improvizuar.

“Nga i pari në fushëbetejë, përfundova duke më marrë në barrelë, krejt të pashpresë”, thotë ai.

Sulmi i dëmtoi të dyja këmbët dhe i dha fund karrierës së tij ushtarake.

“U dërrmua e gjithë familja së bashku me Johnnie-n, pasi ishte kaq traumatike për të gjithë”, thotë e jëma e tij, Reagan Yellock.

“Tranzicioni nga ushtarak aktiv në veteran në pension, është një rrugëtim shumë përunjës”, rrëfen Johnnie.

Në këtë rrugëtim, atij iu desh të bënte 30 operacione për të shpëtuar këmbët dhe tani… gjendet në një galeri arti në Muzeun Presidencial “George W. Bush”, në Dallas të Teksasit. Aty Johnnie Yellock nuk është thjesht vizitor ekspozite, por është pjesë e saj.

“Është një email shumë unik, kur lexon se ish-komandanti yt i përgjithshëm ka përkushtuar shumë prej kohës së tij për të pikturuar disa prej nesh – ‘luftëtarëve të plagosur’,” thotë ai.

Gjatë një interviste radiofonike për Zërin e Amerikës, ish-Presidenti Bush foli rreth zotit Yellock dhe 97 veteranëve të tjerë të plagosur – “luftëtarët” që frymëzuan përpjekjen e tij një-vjeçare për të pikturuar portretet e tyre, tashmë pjesë e ekspozitës, dhe e një libri të titulluar “Portrete të Kurajos: Mirënjohja e një Komandanti të Përgjithshëm për Luftëtarët e Amerikës”.

Presidenti Bush përdor penelin e tij për të nderuar ata, për të cilët kishte përgjegjësinë e dërgimit në luftë si komandant i përgjithshëm i ushtrisë amerikane.

“Rrallë rastis ndonjë veteran që të thotë se ‘ti na e shkaktove këtë gjë’. Ata janë të gjithë vullnetarë dhe unë e pata bërë të qartë se do të shkonim në luftë. Dhe ata e dinin saktësisht se çfarë rrezikohej. Ata kërkojnë të sigurohen që komandanti i tyre i përgjithshëm e kupton se ata janë të ndërgjegjshëm për sakrificat që kanë bërë”, i tha Zërit të Amerikës, Presidenti Bush.

“Nuk jemi penduar për çfarë bëmë dhe do ta bënim sërish nëse na jepet mundësia”, thotë Johnnie.

“Kur pikturoj mendohem se çfarë karakteri dua të pasqyrohet në këto portrete, që të reflektohet se në vend të ankesave të vetëmëshirës, të thuash se do ta bëja sërish”, thotë Presidenti Bush.

Të ardhurat nga shitjet e librit “Portrete të Kurajos” do të financojnë programe të Iniciativës për Shërbimin Ushtarak të Institutit “George W. Bush”, që ndihmon ushtarakët në tranzicionin drejt jetës civile në shërimin e plagëve të dukshme dhe të padukshme të luftës.

Zoti Yellock i mbart këto plagë. Mes disa dekoratave ushtarake, atij i është dhënë edhe “Ylli i Bronztë” dhe “Zemra e Purpurt”. Ai ndjehet i nderuar të jetë pjesë e ekspozitës, por nuk pranon ta quajnë hero.

“Ata që nuk kthehen në shtëpi… Ata janë heronjtë e kohërave tona”, thotë Johnnie.

Katër prej heronjve të tij i kanë emrat të gdhendur në byzylykun që ai rrallë e heq nga dora. I shërben si një kujtesë e fundit e sakrificës së një lufte që vazhdon edhe sot.

Trumpi mund ta nënshkruajë urdhrin e ri të ndalesës së udhëtimit më 6 mars

Agjencitë e lajmeve në SHBA janë duke raportuar se presidenti Donald Trump po planifikon që më 6 mars të nënshkruajë urdhrin ekzekutiv, të përditësuar, që ndalon udhëtimin shtetasve të disa vendeve me shumicë myslimane.

Politico dhe CNN kanë cituar një zyrtar të administratës, që ka thënë se nënshkrimi i urdhrit është planifikuar të mbahet në Departamentin e Sigurisë Kombëtare. Zyrtari ka shtuar se megjithatë, koha e nënshkrimit të urdhërit nga ana e presidentit, mund të ndryshojë.

Urdhri origjinal i 27 janarit ndalonte qytetarët e shtatë shteteve me shumicë myslimane që të hynin në Shtetet e Bashkuara për 90 ditë.

Shtetet që ishin përfshirë në ndalesën e përkohshme të udhëtimit në Shtetet e Bashkuara janë Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Por ky urdhër më pas u bllokua nga një gjykatës federal dhe Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trump është duke planifikuar ta rishikojë atë.

Raportimet megjithatë nuk e kanë bërë të qartë se sa do të ndryshojë urdhri i ri nga ai paraprak.

Drejtori për Buxhet i SHBA konfirmon planet për “shkurtime dramatike” të ndihmës së huaj

Drejtori për buxhet i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se administrata Trump do të propozojë një ulje “mjaft dramatike” të ndihmës së huaj të SHBA-së, kur të paraqes buxhetin fiskal për vitin 2018, më vonë gjatë këtij muaji.

“Ne do të propozojmë ulje të ndihmës së huaj dhe do të propozojmë që ato para t’i shpenzojmë këtu”, ka thënë për Fox News, Mick Mulvaney, Drejtori i Zyrës për Menaxhimin e Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë.

Mulvaney ka thënë se uja e ndihmës do të jetë “mjaft dramatike”.

Këto shkurtime sipas tij do të ndihmojë për të financuar rritjen e propozuar të buxhetit ushtarak të SHBA-së. Buxheti aktual vjetor i Pentagonit është rreth 603 miliardë dollarë.

Presidenti Donald Trump ka thënë më 27 shkurt, se prpopozimi i buxhetit të tij të parë para Kongresit, do të përfshijë “një rritje historike në mbrojtje për të rindërtuar ushtrinë”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trump do ta pyesë Kongresin për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje për 54 miliardë dollarë gjatë vitit të ardhshëm. E njëjta shumë do të shkurtohet nga shpenzimet jombrojtëse, përfshirë këtu edhe shkurtimet e mëdha në ndihmën e huaj.

Shumica e shkurtimeve buxhetore do të vijnë nga buxheti vjetori prej 50.1 miliardë dollarësh i Departamenentit të Shtetit dhe Agjencisë së SHBA-së për programe zhvillimore (USAID), kanë thënë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Një zyrtar ka thënë se buxheti i Departamentit të Shtetit mund të shkurtohet për 37 për qind, e cila do të çojë në një riorganizim të madh të departamentit dhe eliminimin e disa programeve.

Agjencia e lajmeve Associated Press, duke cituar disa zyrtarë, që të njohur me këtë çështje, njoftoi më 4 mars se Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson është pajtuar në parim për ujen e buxhetit për departamentin e tij por ai dëshiron që shkurtimi buxhetor të bëhet në një periudhë tre vjeçare dhe jo si një reduktim vjetor.

Tillerson ka sugjeruar që shkurtimet buxhetore për Departamentin e Shtetit dhe USAID-in, të fillojnë me 20 për qin uje në buxhetin e ardhshëm vjetor, kanë thënë zyrtarët.

Trumpi akuzon ish-presidentin Obama për përgjime

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, akuzoi sot nëpërmjet Twitter-it se paraardhësi i tij, ish-presidenti Barack Obama, pati urdhëruar përgjimin e komunikimeve telefonike gjatë fushatës presidenciale. Akuzat e Presidentit Trump pasojnë disa zbulime të reja të bëra të ditura nga mediat amerikane, për kontakte të tjera ndërmjet zyrtarëve të fushatës Trump dhe zyrtarëve rusë.

Presidenti Donald Trump postoi një seri mesazhesh sot në Twitter duke akuzuar pararendësin e tij, ish-Presidentin Barack Obama, për përgjim të komunikimeve përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Presidenti Trump tha në Twitter se zoti Obama pati urdhëruar përgjimin e linjave telefonike të Kullës Trump në Nju Jork. Presidenti Trump e konsideron këtë zbulim një skandal të ngjashëm me “Watergate”-in.

Zoti Trump nuk ka ofruar prova konkrete për akuzën për përgjim nga ish-administrata Obama.

Vetëm një ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions pranoi se ishte takuar dy herë me ambasadorin rus Sergei Kislyak gjatë fushatës presidenciale, takime të cilat ai nuk i raportoi gjatë seancës së tij të konfirmimit në Senat.

Ndërkohë, administrata Trump vazhdon të përballet me zbulime të reja për kontakte me zyrtarët rusë, përfshirë takime në Kullën Trump ndërmjet dhëndrrit të Presidentit, zotit Jared Kushner, ish-këshilltarit të dorëhequr të sigurisë kombëtare, Michael Flynn, dhe ambasadorit rus.

Dje zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer u ballafaqua me pyetje përse këto takime po bëhen të ditura kaq me vonesë:

“Nuk ishin takime sekret. T’ju them të drejtën unë nuk isha në dieni se ishin zhvilluar këto takime, pra nuk mendoj se ndokush i konsideronte si diçka tepër të rëndësishme, pasi nuk pati diskutime mbi politikat,” tha zëdhënësi Spicer.

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se takimet e zhvilluara në Kullën Trump kishin patur synim vendosjen e një linje komunikimi ndërmjet administratës së ardhshme amerikane dhe ambasadorit të Rusisë. Shtëpia e Bardhë i konsideroi këto takime të zakonshme dhe shtoi se zoti Kushner pati zhvilluar takime me përfaqësues të disa vendeve të ndryshme.

Komunikimet me email të ish-guvernatorit Mike Pence

Nënpresidenti amerikan Mike Pence thotë se nuk ka “asnjë lloj krahasimi” mes përdorimit nga ana e tij të një adrese private emaili si guvernator i Indianës, pozitë që ai kishte para se të bëhej pjesë e administratës aktuale, dhe problemet e emailit të ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton.

Zoti Pence u tha gazetarëve në Uiskonsin të premten se problemet e zonjës Clinton përfshinin “zotërimin e një serveri privat, keqpërdorimin e informacionit sekret, dhe fshirjen e emaileve kur u kërkuan nga Kongresi”.

Nënpresidenti tha se ai ia ka dorëzuar të gjitha emailet e tij shtetit të Indianës në fund të mandatit të tij.

“Jo, nuk ka asnjë lloj krahasimi me praktikën e Hillary Clintonit e mbajtjes së një serveri privat, keqpërdorimit të informacionit sekret dhe shkatërrimin e emaileve kur kërkoheshin nga Kongresi. Ne kemi vepruar në përputhje të plotë me ligjet e shtetit të Indianës. Patëm avokatë të pavarur të cilët shqyrtuan gjithë të dhënat e mia të emailit privat për të identifikuar ndonjë email që ka përmendur aktivitete lidhur me shtetin. Dhe ligji i Indianës kërkon që emailet përkatëse t’i transferohen shtetit të Indianës,”.

Gazeta The Indianapolis Star ishte e para që njoftoi se nënpresidenti Pence kishte përdorur një llogari private emaili. Gazeta tha se zoti Pence kishte përdorur emailin e tij privat për të diskutuar çështje delikate, duke përfshirë çështjet e sigurisë së brendshme.

Departamenti i Shtetit ka thënë se përdorimi i një serveri privat nga zonja Clinton theu rregullat e departamentit. Drejtori i FBI-së James Comey tha se ish-Sekretarja e Shtetit ishte e pakujdesshme me informacionet sekrete, por se nuk do të ngrihen akuza penale kundër saj.

Sessions do të japë shpjegim me shkrim për kontaktet me ambasadorin rus

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions do të japë një shpejgim me shkrim për kontaktet e tij me ambasadorin rus vitin e kaluar, ka thënë Departmenti i Drejtësisë.

Sessions do ta paraqes shpjegimin e tij më 6 mars në Komitetin e Gjyqësisë në Senatin amerikan, duke iu përgjigjur kështu kërkesës së anëtarëve demokratë të këtij komiteti.

Demokratët kanë kërkuar shpjegim për dy takimet e Session me ambasadorin rus në SHBA, Sergei Kislyak dhe pse Sessions nuk ka treguar për to gjatë seancës dëgjimore të konfirmimit pranë komitetit në muajin janar.

Session, ish senator nga Alabama, ka thënë më 2 mars se është takuar me Kislyak në zyrën e tij në Senat, dy muaj para zgjedhjeve si dhe gjatë një ngjarje me ambasadorë të tjerë në Konventën Kombëtare Republikane të mbajtur në muajin korrik.

Kreu i komitetit të gjyqësorit, senatori republikan Chuck Grassley ka refuzuar kërkesën e demokratëve që Sessions të dëshmojë para këtij komiteti.

Wolters: “Avionët rusë provokojnë avionët e NATO-s në Detin e Zi”

Komandanti i Forcave Ajrore të SHBA-ve në Evropë, Gjeneral Tod Wolters, ka deklaruar se avionët rusë kanë provokuar katër herë avionët e NATO-s më 10 shkurt në Detin e Zi

ASHINGTON – Komandanti i Forcave Ajrore të SHBA-ve në Evropë, Gjeneral Tod Wolters, ka deklaruar se avionët rusë kanë provokuar katër herë avionët e NATO-s më 10 shkurt në Detin e Zi.

Duke folur në Simpoziumin e Betejave Ajrore të Shoqatës së Forcave Ajrore të organizuar në qytetin Orlando të Floridas, komandanti amerikan Wolters ka theksur se tre nga katër provokimet janë bërë me avionë ushtarakë SU-24, ndërsa i katërti është bërë me një avion të llojit Ilyushin II-38 për patrullim detar.

Wolters shprehu shqetësimet, siç tha, afrimin kaq të rrezikshëm të avionëve rusë ndaj njësiteve të SHBA-ve dhe Aleancës që ka mundur të shkaktojë incident ose rritjen e tensioneve në rajon, duke shtuar se në gjashtë muajt e fundit provokimet ruse kanë qenë konstante.

“Forcat ajrore janë duke i ndjekur me kujdes këto afrime. Edhe zyrtarët e lartë janë duke punuar në marrjen e informacioneve në lidhje me këto aktivitete, edhe pse ndonjëherë ngelin pa rezultate. Ndonjëherë marrim përgjigjen e dëshiruar, e ndonjëherë nuk marrim asnjë përgjigje”, ka vënë në dukje Wolters.

Ai ka shtuar se ka raste kur këto provokime ndodhin gabimisht dhe raste kur bëhen si masë parandaluese.

Javët e kaluara, shefi i Shtatmadhorisë amerikane gjenerali Joseph Dunford ishte takuar me homologun e tij rus Valeriy Gerasimov në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.

Nga Pentagoni kanë deklaruar se qëllimi themelor i takimit ka qenë vazhdimi i kanaleve të komunikimit ushtarak për parandalimin e llogaritjeve të gabuara të mundshme në Siri dhe Evropën Lindore. aa

SHBA: Sessions tërhiqet nga hetimi rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje

Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions tha se ai do të tërhiqet nga një hetim federal rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e 2016-s për Shtëpinë e Bardhë.

“E ndiej se nuk duhet të përfshihem në hetimin e një fushate në të cilën unë kisha një rol,” tha zoti Sessions në një konferencë shtypi të enjten pasdite.

Komentet e Prokurorit të Përgjithshëm vijnë në një atmosferë thirrjesh që ai të jepte dorëheqjen ose të tërhiqej nga procesi i hetimeve rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e nëntorit.

Zoti Sessions foli dy herë gjatë fushatës me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara. Këto biseda duket se bien në kundërshtim me deklaratat që ai bëri gjatë seancave të konfirmimit të tij në Kongres.

Zoti Sessions hodhi poshtë çdo aludim se ishte përpjekur të gënjente rreth kontakteve me rusët. “Ky nuk është synimi im; kjo nuk është e saktë”.

Zoti Sessions, këmbënguli se ai nuk u takua me zyrtarë rusë për të diskutuar mbi fushatën elektorale.

Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, e mori në mbrojtje Prokurorin e Përgjithshëm, duke thënë se ai thjesht bëri punën e tij si ish-senator, kur foli me ambasadorin rus.

Presidenti Donald Trump tha të enjten se “nuk ishte në dijeni” që Prokurori i Përgjithshëm të kishte patur kontakt me ambasadorin rus gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar.

Presidenti Trump i bëri komentet në Newport News të shtetit Virxhinia, para se të mbante një fjalim në bordin e aeroplanmbajtëses USS Gerald Ford.

Ai tha se ka besim të plotë tek Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions.

REAGIMET NË KONGRES

Disa demokratë në Kongres po kërkojnë që zoti Sessions të japë dorëheqjen për shkak të kontakteve me rusët. Udhëheqësit demokratë dhe disa republikanë thonë se ai duhet të tërhiqet nga një hetim federal rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje.

Kryetari i Komisionit për Inteligjencën në Dhomën e Përfaqësuesve, Devin Nunes, tha se ai ende nuk ka ndonjë dëshmi që njerëz të lidhur me fushatën presidenciale të zotit Trump të kenë patur kontakte të papërshtatshme me zyrtarët rusë.

Kongresmeni i bëri komentet për gazetarët pasi anëtarët e komisionit dëgjuan një raportim të Drejtorit të FBI-së James Comey.

Nunes tha se kontakti i vetëm për të cilin ai ka dijeni ishte ai mes ish-këshilltarit të zotit Trump për sigurinë kombëtare, Michael Flynn, dhe ambasadorit rus në Shtetet e Bashkuara.

Sessions tha në një intervistë për NBC News, se “kur të jetë e përshtatshme”, ai do ta përjashtojë veten nga hetimi i agjencisë së tij lidhur me mundësinë e lidhjeve të fushatës së zotit Trump me zyrtarë rusë.

SESSIONS DHE DEKLARATA E TIJ

Ndërkohë që ishte anëtar i senatit, Jeff Sessions mbështeti kandidaturën e zotit Trump për president dhe u bë këshilltar i fushatës së tij.

Pasi u emërua si kandidat për të drejtuar Departamentin e Drejtësisë, zoti Sessions u pyet në seancën e konfirmimit në muajin janar se çfarë do të bënte nëse provohej se dikush nga fushata e zotit Trump kishte qenë në kontakt me Rusinë.

“Nuk kam dhe nuk kam pasur komunikime me rusët,” u përgjigj ai.

Në fakt, zoti Sessions kishte takuar ambasadorin rus Sergei Kislyak në muajin korrik gjatë Kuvendit Kombëtar Republikan. Në shtator, e kishte takuar përsëri në zyrën e tij në Kongres.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Sarah Isgur Flores, tha se nuk kishte asnjë gënjeshtër në deklaratën e bërë nga zoti Sessions gjatë seancave të konfirmimit.

Prokurori i përgjithshëm bëri më pas një deklaratë ku thoshte se “kurrë nuk ishte takuar me ndonjë zyrtar rus për të diskutuar mbi çështjet e fushatës.”

Senatori Al Franken, i cili e pyeti zotin Sessions për Rusinë gjatë konfirmimit, ishte ndër demokratët të cilët thanë mbrëmë se prokurori i përgjithshëm nuk duhet të përfshihet në asnjë hetim për çështjet e ndërhyrjes ruse në zgjedhje.

Byroja Federale e Hetimeve, që është pjesë e Departamentit të Drejtësisë, po heton rreth aktiviteteve të Rusisë, që synonin të krijonin çrregullime në zgjedhjet amerikane. Ajo po heton gjithashtu rreth çdo lidhjeje të mundshme mes fushatës së zotit Trump dhe qeverisë së presidentit rus Vladimir Putin.

Komisioni i Senatit për inteligjencën po kryen hetimin e tij, ndërsa komisioni homolog i Dhomës së Përfaqësuesve njoftoi dje kriteret mbi të cilat do të fillonte edhe ai hetimet.

REAGIMI I RUSISË

Një zëdhënës rus tha të enjten se nuk ishte në dijeni për ndonjë takim mes ish-senatorit Sessions, tani Prokuror i Përgjithshëm dhe ambasadorit të Rusisë gjatë fushatës presidenciale vitin e kaluar.

“Nuk kam dijeni për ndonjë takim”, u tha Dmitry Peskov gazetarëve kur u pyet nëse zoti Sessions ishte takuar me ambasadorin Kislyak.

Peskov tha se nuk ishte e pazakontë që diplomatët rusë të takoheshin me ligjvënësit amerikanë.

Presidenti Trump, i cili ka shprehur në mënyrë të përsëritur dëshirën për të forcuar marrëdhëniet me Rusinë, ka akuzuar ish-zyrtarë të administratës Obama se janë përpjekur ta diskreditojnë.

Spekulime mbi tonin e zbutur të Presidentit Trump

Menjëherë pas fjalimit të Presidentit Trump para Kongresit, Uashingtoni filloi të komentonte mbi tonin e tij më të zbutur, e më optimist. Tani përkrahësit dhe kritikët e presidentit, si dhe analistët po japin parashikimet e tyre nëse ky ndryshim toni pritet të vazhdojë apo ishte një episod i shkëputur. Ndërkohë, Kongresi fillon analizën e vështirë të planeve ambicioze të administratës së presidentit Trump:

Presidenti Trump do të takohet me udhëheqës republikanë të Kongresit në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar si do të vihet në jetë axhenda e tij ambicioze.

“Jemi këtu për të filluar procesin. Ky proces fillon tani dhe mendojmë se do të kemi sukses të jashtëzakonshëm,” – tha Presidenti Trump.

Presidenti ka marrë vlerësime pozitive për fjalimin e së martës para Kongresit, veçanërisht për tonin e tij më të butë dhe optimist.

“U bëj thirrje të gjithëve që po na ndjekin sonte, ta shfrytëzojnë këtë moment, të kenë besim tek vetja, tek e ardhmja dhe të kenë përsëri besim tek Amerika,” – tha presidenti.

Ishte një sjellje presidenciale nga një president që duhej të dëshmonte një sjellje të tillë, thotë analisti Jeremy Mayer përmes Skype-it:

“Është fjalimi më i mirë që kam dëgjuar prej tij. Unë e kam ndjekur me kujdes Donald Trumpin. Kishte një frymë kompromisi, qetësie, një ton bashkëpunimi që nuk e gjen shpesh në fjalimet e Donald Trumpit”.

Ndryshimi i tonit të Donald Trumpit mund të jetë i dobishëm kur të fillojë beteja e vështirë me Kongresin për programet e kujdesit shëndetësor dhe reformat fiskale, thotë analisti John Fortier:

“Shumë nga hollësitë, shumë faza specifike të miratimit të një politike janë të paqarta për të. Prandaj do të ishte me vend që ai të tregonte se di të sillet si udhëheqës, se ka gjetur një mënyrë për të bashkëpunuar me republikanët, të cilët janë në anën e tij përgjithësisht, por megjithatë ka shumë pengesa përpara”.

Por shumë demokratë mbeten skeptikë, përfshirë Senatorin Chuck Schumer:

“Fjalimet e tij gjithmonë janë plotësisht të shkëputura nga realiteti. Ai u flet punëtorëve amerikanë. Ata ishin grupimi kryesor që votoi për të. Por mënyra si po qeveris ka qenë plotësisht në anën e grupeve të djathta larg qendrës, e grupeve të interesit kundër interesave të shtresës punëtore”.

Dy anketa të reja treguan se votuesit reaguan pozitivisht ndaj fjalimit, gjë që i nevojitej presidentit thotë eksperti James Thurber:

“Ai është në nivelin më të ulët të mbështetjes për një president të ri, më i ulëti që nga koha e Ajzenhaurit kur filluam të masim popullaritetin”.

Republikanët dhe demokratët po spekulojnë nëse ky ton më i butë, kjo sjellje më e disiplinuar nga zoti Trump do të vazhdojë, thotë analisti Mayer:

“Ai tregoi në fjalimin e së martës se është në gjendje ta bëjë këtë punë, se mund të sillet si i takon një presidenti. Por që realisht ta bëjë punën, kjo mbetet për t’u parë”.

Sjellja dhe toni i tij në të ardhmen do të ndikojnë edhe tek marrëdhëniet me Kongresin dhe e ardhmja e planit të tij ambicioz.

Ambasadori i SHBA: Vendimi i presidentit Ivanov shkel parimet themelore demokratike, ta rishqyrtojë

Ambasadori amerikan Baily tha se “vendimi i presidentit Ivanov është në kundërshtim me parimet themelore demokratike dhe sundimit të ligjit, që janë vlerë thelbësore e NATO-s”

SHKUP – Ambasadori i SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë, Jess Baily, në një konferencë për media të mbajtur para ndërtesës së Info-Qendrës së Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, kërkoi nga presidenti Gjorge Ivanov, të rishqyrtojë vendimin e djeshëm për mosdhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re, raporton Anadolu Ageny (AA).

Ambasadori pas deklaratës së tij u drejtua për në takim me ambasadorin e BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar. Baily u shpreh se SHBA-të u zhgënjyen kur mësuan se presidenti Ivanov refuzoi, siç tha ai, shumicën e qartë parlamentare për të formuar qeverinë e re.

“Si partner strategjik dhe një mik i Maqedonisë, me respektim të plotë të sovranitetit dhe unitetit të Maqedonisë kërkojmë nga presidenti Ivanov ta rishqyrtojë këtë vendim. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga fqinjët e Maqedonisë të tregojnë kujdes dhe të jenë konstruktiv në këto momente të politikave të ndjeshme në vend”, deklaroi Baily.

Ambasadori Jess Baily theksoi se “vendimi i presidentit Ivanov është në kundërshtim me parimet themelore demokratike dhe sundimit të ligjit, që janë vlerë thelbësore e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov refuzoi t’i jap mandatin liderit të Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, i cili dy ditë më herët i dorëzoi dëshminë për sigurimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, me nënshkrimin e 67 deputetëve të partisë së tij, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët.

Presidenti Ivanov deklaroi se, “nuk do të japë mandatin për formimin e qeverisë së re çdo kujt i cili negocionon për platforma të vendeve të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënon shtetin unitar, sovranitetin dhe pavarësinë e saj”.

Platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët shqiptarë zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e re të Maqedonisë, nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.

Edhe prokurori i përgjithshëm i SHBA-së “ka pasur” kontakte me Rusinë

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions, ka takuar ambasadorin e Rusisë dy herë gjatë fushatës presidenciale të Donald Trumpit, vitin e kaluar, konfirmoi Qeveria amerikane.

Sessions, senator në atë kohë, nuk i ka zbuluar kontaktet gjatë seancës në Senat, në muajin janar, për konfirmimin e tij.

Por, ai tha të mërkurën se “nuk ka takuar kurrë ndonjë zyrtar rus për të diskutuar çështje të fushatës”.

Udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e akuzoi Sessions për “gënjeshtra” dhe i kërkoi të japë dorëheqje.

Demokratë të tjerë i kërkuan të tërhiqet nga hetimi që po bën FBI për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA, e të cilin Sessions e mbikëqyr nga posti i prokurorit të përgjithshëm.

“Ai duhet të bëjë këtë pa vonesë”, tha përfaqësuesi demokrat, Eliot Engel.

Lajmi, që fillimisht u raportua nga Washington Post, u bë publik vetëm pak orë pasi republikanët dhe demokratët e një komiteti të Kongresit u pajtuan për hetimin e akuzave për bashkëpunim midis fushatës së Trumpit dhe Rusisë.

Paneli i inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve do të shqyrtojë kontaktet midis fushatës presidenciale të Trumpit dhe Moskës.

Shtëpia e Bardhë ka mohuar çdo sjellje të pahijshme gjatë fushatës zgjedhore dhe nuk i ka komentuar menjëherë zhvillimet e fundit.

Rusia, ndërkaq, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për ndërhyrje.

Departamenti amerikan i Drejtësisë konfirmoi se Sessions ka takuar ambasadorin rus në SHBA, Sergei Kislyak, si anëtar i Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura.

Gjatë seancës për konfirmimin e tij, Sessions është pyetur se çfarë do të bënte nëse ka prova se dikush nga fushata e Trumpit ka qenë në kontakt me Rusinë.

Sessions është përgjigjur duke thënë se “nuk është në dijeni për aktivitete të tilla”.

Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën vonë, Sessions tha se “nuk ka takuar kurrë ndonjë zyrtar rus për të diskutuar çështje të fushatës”.

“Nuk kam ide se për çfarë janë këto akuza. Janë false”, tha ai.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Sarah Isgur Flores, tha se “nuk ka absoulutisht asgjë mashtruse në përgjigjen e tij”.

Ajo tha se Sessions ka pasur takime vitin e kaluar me më shumë se 25 ambasadorë të huaj, në pozitën e anëtarit të Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura.

Muajin e kaluar, këshilltari i Trumpit për siguri kombëtare, Michael Flynn, është shkarkuar, pasi ka keqinformuar Shtëpinë e Bardhë për bisedat e tij me ambasadorin rus, me gjasë për sanksionet e SHBA-së kundër Moskës.

Përgatiti: Valona Tela

Tregjet e aksioneve rritje rekord pas fjalimit të Trumpit

Tregjet e aksioneve në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë u rritën në nivele rekord, pas një fjalimi të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili dha shpresë për rritje më të fuqishme ekonomike në “ekonominë më të madhe të botës”.

Indeksi Dow Jones kërceu për 1.5 përqind apo më shumë se 300 pikë.

Indekse të tjera të mëdha në Nju Jork, Londër dhe Frankfurt po ashtu u rritën në nivele rekorde, ndërsa indeksi kryesor në Francë për 2.1 përqind.

Trump premtoi para Kongresit se do të shkurtojë taksat për bizneset dhe individët, ndërsa do të shpenzojë një trilion dollarë për të përmirësuar rrugët dhe urat e vendit.

Por, ekonomistët thonë se zotimet e tij për të rritur tarifat në importe dhe për të rinegociuar marrëveshjet tregtare po ashtu rrisin rrezikun e ngadalësimit të tregtisë globale dhe të rritjes ekonomike.

Coats: Rusia, kërcënimi më i madh për Amerikën

Kandidati i zgjedhur nga Presidenti Donald Trump për të drejtuar Agjencinë Kombëtare të Zbulimit, ish Senatori Dan Coats, tha se Rusia është kërcënimi më i madh për Amerikën. Këto komente zoti Coats i bërë të martën në një takim me ligjvenësit në Kongres.

Ish Senatori i Indianës, i emëruar nga presidenti Trump për të drejtuar Agjencinë Kombëtare të Zbulimit u tha ligjvenësve në Kongres se është një fakt tashmë i pranuar se Moska është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale në nëntor.

“Rusia ka një histori të gjatë propagande në ndikimin e kombeve, kulturave dhe zgjedhjeve në vende të ndryshme, siç po ndodh aktualisht në Europë. Por ata i kanë intensifikuar këto përpjekje dhe po përdorin internetin e mënyra të tjera më të stërholluara për të ushtruar ndikimin e tyre. Kjo është një çështje kyç dhe duhet të kuptojmë plotësisht se çfarë ka ndodhur, e si ka ndodhur. Duhet të kemi një raport të plotë për këtë problem.”

Zoti Coats, u zotua gjatë dëshmisë përpara Komisionit të Senatit për Çështjet e Zbulimit se mbështet një hetim të plotë të rolit që ka luajtur Kremlini gjatë zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara.

Ky qëndrim i zotit Coats, bie në kundërshtim me atë të Presidentit Trump, i cili si gjatë fushatës, ashtu edhe pasi u zgjodh president, nuk u dha rëndësi informacioneve të shërbimeve amerikane të zbulimit.

Gjatë fjalës së tij, duke identifikluar rreziqet e tjera që u kanosen Shteteve të Bashkuara, zoti Coats përmendi edhe atë që ai e quajti “terrorizëm islamik radikal”.

“Ata po shpërndajnë mesazhe frike dhe urrejtjeje përmes botës virtuale dhe po tregohen aktiv edhe në vende të tjera, përtej kalifatit të tyre të vetshpallur,” tha ai, duke cituar grupin terrorist të Shtetit Islamik.

Zoti Coats shprehu gjithashtu shqetësimet e tij në lidhje me Korenë e Veriut dhe Kinën.

65 milionë dollarë për të drejtat botuese të dy librave nga çifti Obama

Shtëpia botuese Penguin Random House ka arritur të sigurojë të drejtat për të publikuar dy libra të ardhshëm nga ish-presidenti amerikan Barack Obama dhe ish-zonja e parë, Michelle Obama. Secili prej tyre do të shkruajë një vëllim, tha shtëpia botuese të martën.

Sipas gazetës Financial Times, marrëveshja është për 65 milionë dollarë, duke thyer rekorde të mëparshëm të botimeve të librave të ish-presidentëve të tjerë.

Financial Times tha se shuma për librat e çiftit Obama është 6 herë më e lartë se ajo që siguroi ish-presidenti George W. Bush me librin e tij “Decision Points”. Ai u pagua 10 milionë dollarë për librin.

Ndërsa për librin “My Life” të ish-presidentit Clinton, shuma ishte 15 milionë dollarë.

Por, në përputhje me praktikën e tyre të mëparshme, çifti Obama kanë në plan të dhurojnë një “pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre autoriale për bamirësi”, duke përfshirë Fondacionin Obama, tha shtëpia botuese në deklaratën ku u njoftua për marrëveshjen.

Penguin Random House më parë ka botuar tre libra të ish-presidentit Obama: “Ëndrrat e Atit Tim”, “Guximi i Shpresës”, “Për ju këndoj: Një Letër Vajzave të Mia”.

Shtëpia botuese nuk e bëri të ditur se kur do të dalin në treg librat.

Këshilltari i Trumpit: Luftën e Kosovës nuk e fitoi NATO, por Millosheviçi

Këshilltari për Sigurinë i presidentit të ri të SHBA-ve Donald Trump, gjenerali Raymond McMaster ka shokuar me analizën e tij se në luftën e Kosovës nuk fitoi NATO, por forcat e Sllobodan Millosheviçit.

Gazetarja e njohur gjermane, Renate Flottau, që ka mbuluar rajonin tonë prej 30 vitesh, shkruan në ‘Huffington Post Deutschland’, se McMaster mendon se fitues i luftës në vitin 1999 nuk ka qenë NATO, por Millosheviçi.

Sipas analizës së publikuar nga McMaster në vitin 2003, fushata e bombardimit e NATO-s u kthye në një makth për aleancën.

McMaster thotë se NATO u mundua ta mbulojë humbjen me një seri ‘lajmesh false’.

Kështu, edhe pse NATO deklaroi se ka shkatërruar 450 raketa serbe, në fakt shkatërroi vetëm 20 të tilla.

Pavarësisht se u tha se janë shkatërruar 120 tanke serbe, u shkatërruan vetëm 14 të tillë.

Pas një fushate prej 78 ditësh, shoqëruar nga 40 mijë fluturime, nuk u shkatërrua as 5 përqind e makinerisë luftarake serbe.

McMaster shkruan se zyrtarët e NATO-s fërkuan sytë me mosbesim kur në fund të luftës panë se si e gjithë flota ajrore serbe doli e paprekur nga një hangar në Prishtinë dhe nisi udhëtimin për në Beograd.

McMaster thotë se ishte një dështim i teknologjisë më të avancuar në planet ndaj improvizimeve serbe.

Sa herë një avion spiun i NATO-s fluturonte mbi pozicionet serbe, ata fshihnin tanket e makineritë ushtarake dhe nxirrnin në pritë tanke kartoni.

Lokalizimi i serbëve ishte i vështirë edhe për shkak se mbrojtja ajrore serbe i detyronte avionët e NATO-s të fluturonin mbi 15000 këmbë lartësi.

Edhe radarët serbë ishin shumë të vështirë për t’u pikasur, pasi fshiheshin në gropa, duke shënuar kështu një dështim spektakolar të NATO-s.

Edhe më e rëndë bëhet situata, shkruan McMaster, po të mendosh se Serbia kishte shumë spiunë brenda aleancës.

Një tjetër dështim ishte vendosja e helikopterëve Apache në Shqipëri. Pista ku u vendosën ishte me baltë dhe ujë të ndenjur. Fluturimi i parë i testimit solli rrëzimin e dy pilotëve dhe fluturimet natën ishin të vështira për shkak të terrenit malor dhe mungesës së mbështetjes tokësore.

Por përse erdhi dorëzimi i Millosheviç?

Autori shkruan se jo vetëm prej kërcënimit se do ndërhyhej me trupa tokësore, por më së shumti për shkak se Moska tërhoqi mbështetjen ndaj Millosheviç, duke sjellë kapitullimin e tij.

Ndërkohë seti i mësipërm i fotove është bërë në vitin 1999 nga Peter Marloë dhe tregon se si përgatitej NATO për fluturimet luftarake.

Bota reagon ndaj fjalimit të Presidentit Trump në Kongres

Udhëheqësit botërorë ndoqën me vëmendje fjalimin e parë të Presidentit amerikan Donald Trump në Kongres. Zoti Trump foli për angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe planin e tij për të ndërtuar një sistem të ri të tregtisë globale.

Fjalimi i presidentit Trump i drejtohej një audience të brendshme, me premtimet e shpeshta për t’u përqendruar tek Amerika, por e gjithë bota e ndoqi atë me interes.

“Ne ndajmë me aleatët në gjithë globin idenë e një udhëheqjeje amerikane, mbështetur në interesa jetike sigurie. Ne mbështesim fuqimisht NATO-n, një aleancë e konsoliduar përmes lidhjeve të dy Luftrave Botërore që përmbysën fashizmin dhe një Lufte të Ftohtë që mundi komunizmin. Por partnerët tanë duhet të plotësojnë detyrimet e tyre financiare”, tha Presidenti Trump.

Zbutja e tonit ishte e mirëpritur, thotë Ian Bond i Qendrës për Reformë Evropiane me seli në Londër. Ai foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

“Ai nuk tha përsëri se NATO-s i ka ikur koha. Megjithatë, ai vazhdon të flasë për vendet e NATO-s që duhet të paguajnë faturat, sikur Amerika të jetë ndonjë shërbim truprojash”, tha zoti Bond.

Presidenti Trump premtoi rritjen më të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen në historinë e Amerikës:

“Mendoj se edhe shumë republikanë po i thonë se është gabim të shkurtosh ndihmën amerikane për zhvillimin jashtë vendit dhe buxhetin e Departamentit të Shtetit, për të financuar këtë rritje të madhe në shpenzimet ushtarake”, tha zoti Bond.

Një reduktim i angazhimit amerikan jashtë vendit, mund të shihet si një mundësi për ekonominë e dytë më të madhe të botës, thotë David Kelly, drejtor kërkimesh në organizatën “Politikat e Kinës”, me qendër në Pekin.

“Edhe një herë, zoti Trump po krijon hapësira për Kinën, që në një farë kuptimi mund të shfrytëzohen në drejtimin diplomatik”.

Presidenti Trump përmendi veçanërisht Pekinin, ndërsa përsëriti akuzat se sistemet e tregtisë globale nuk janë në të mirë të Amerikës.

“Kemi humbur 60 mijë fabrika që kur Kina hyri në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001”.

Zoti Trump nuk e përmendi direkt urdhrin ekzekutiv për ndalimin e udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane që u bllokua nga gjykatat.

Përveç premtimit për të shfarosur organizatën terroriste Shteti Islamik, ai nuk e përmendi Afrikën, një nga përparësitë e ish-presidentit Barack Obama.

“Nuk kemi parë asnjë sinjal muajin e parë të kësaj administrate se si do të jetë politika për Afrikën. Nuk ka ende një ndihmës Sekretar Shteti për atë rajon. Shumë poste ambasadorësh janë të zbrazëta, përfshirë atë të Afrikës së Jugut”, thotë Steven Gruzd i Institutit afrikano-jugor për Çështje Ndërkombëtar.

Toni më i matur i fjalimit, në përgjithësi është mirëpritur. Por analistët thonë se shumë udhëheqës botërorë duan më shumë detaje për politikat lidhur me premtimin e Presidentit Trump për “një kapitull të ri të madhështisë amerikane”.

Fjalimi i presidentit, reagojnë amerikanët

Në fjalimin e parë që mban para Kongresit, Presidenti Donald Trump prezantoi hollësi për politikat që synon të ndjekë administrata e tij për të bashkuar vendin pas zgjedhjeve përçarëse. Në komunitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, korrespondentë të Zërit të Amerikës ndoqën fjalimin në televizor, së bashku me banorë lokalë dhe morën përshtypjet e tyre mbi politikat që theksoi presidenti.

Në Holmes të Pensilvanisë, jo larg Filadelfias, një grup banorësh janë mbledhur për të luajtur bowling.

Televizioni po transmeton fjalimin e Presidentit Trump para Kongresit, drejtuar popullit amerikan:

“Të gjitha vendet e botës, miq dhe armiq, do ta kuptojnë se Amerika është e fortë, krenare dhe e lirë,” thotë presidenti.

Por ashtu si politikanët që kanë dërguar në Uashington si përfaqësues të tyre, edhe vetë amerikanët janë të ndarë mbi mesazhin që përcolli mbrëmë presidenti.

“Ai flet për rikthim të fitimeve dhe të vendeve të punës në Amerikë. Më në fund dikush po flet për ekonominë dhe punëtorin amerikan. Ç’të keqe ka këtu?” thotë Bryan Gallagher, përkrahës i presidentit Trump.

“Si do ta rindërtojë infrastrukturën kur shkurton taksat? Për të rindërtuar infrastrukturën duhet t’ua rrisësh taksat të pasurve. Ashtu përmirësohet infrastruktura e një vendi,” thotë Pete Harwan, përhrahës i ish-kandidates Clinton.

Në skajin tjetër të Shteteve të Bashkuara, në Las Vegas të Nevadës ku janë mbledhur për të ndjekur fjalimin një grup kinezo-amerikanësh që përkrahin zotin Trump, ngrihen pyetje për vizionin e presidentit për vendin:

“Deri tani ka thënë fjalë të mira, por ende nuk është bërë asgjë. E kanë prezantuar, por vazhdojnë të ndërrojnë herë një gjë, herë një tjetër. Dua të shoh që po bëhet diçka,” thotë Chris Villasenor.

Në Teksas, veterani Jeff Olsen thotë se i mirëpret propozimet e presidentit.

“Sa mirë do të ishte sikur këtë fjalim ta kishim dëgjuar pesë javë më parë. Të gjithë jemi amerikanë. Të gjithë ia duam të mirën Amerikës; mendoj se sonte ai foli me një ton shumë më pajtues se më parë”.

John, një banor i Ajovas, thotë se nuk është përkrahës i zotit Trump por shpreson që punët të shkojnë sa më mirë:

“Nuk jam republikan. Nuk më pëlqen Donald Trumpi, por duhet t’i japim mundësi të qeverisë. Ai fitoi, nuk vihen në dyshim kjo. Tani duhet ta mbështesim dhe të shpresojmë se do të bëjë një punë të mirë”.

Në Uashington, demonstruesit u mblodhën në mot me shi për të protestuar kundër presidentit. Sheldon Cohen ka kancer. Ai konsiderohet pacient me probleme ekzistuese shëndeti, por nën programin e Presidentit Obama për kujdes shëndetësor mund të gjente sigurime për shëndetin. Tani ky program është në rrezik nga administrata Trump:

“I jap notën më të lartë për cilësitë e argëtuesit dhe për kaosin presidencial. Por i jap notë ngelëse për punën që ka bërë si udhëheqës dhe për të bashkuar vendin,” thotë aktivisti Cohen.

Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara ka ardhur në Shtëpinë e Bardhë prej një muaji. Ai ka bërë miq e armiq me programin e tij qeverisës bazuar në premtimet e fushatës. Nëse do të arrijë ai ta vërë në jetë këtë program do të varet nga anëtarët e Kongresit dhe votuesit në të gjithë vendin që i zgjedhin këta anëtarë.

Plani i ri i Trumpit nuk prek poseduesit e “green card”

Rregullimi i ri i vizave që pritet të nënshkruhet nesër nga Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, nuk prek poseduesit e “green card”-ës të cilët kanë leje të përhershme qëndrimi

UASHINGTON – Rregullimi i ri i vizave që pritet të nënshkruhet nesër nga Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, nuk prek poseduesit e “green card”-ës të cilët kanë leje të përhershme qëndrimi si dhe personat të cilët aktualisht posedojnë vizë të vlefshme amerikane, raporton Anadolu Agency (AA).

Pohimi se rregullimi i ri i vizave do të ndikojë vetëm tek personat të cilët tani e tutje do të aplikojnë për viza, për herë të parë është bërë në artikullin e gazetës amerikane Wall Street Journal duke u bazuar në burime të afërta me qeverinë e Presidentit Trump.

Për dallim nga dekreti i 27 janarit i cili ka ndaluar hyrjen e shtetasve të 7 shteteve me shumicë muslimane në SHBA për 90 ditë, njoftohet se me rregullimin e ri që do të nënshkruhet nesër, kjo ndalesë nuk do të ndikojë ndaj personave të cilët kanë leje të përhershme qëndrimi si dhe personat të cilët aktualisht posedojnë vizë të vlefshme amerikane.

Pas ndalimit të ekzekutimit të dekretit të tij nga ana e një gjyqtari federal, bëhet e ditur se Trump nuk dëshiron që rregullimin i ri të hasë në ndonjë pengesë juridike, dhe se ai është duke punuar në mënyrë të afërt me juristët e ekipit të Shtëpisë së Bardhë.

Ristrukturimi do të ndikojë ndaj qytetarëve të shteteve të njëjta

Më tej thuhet se në mënyrë të ngjashme me dekretin e mëparshëm, edhe ky rregullim do të ndikojë ndaj qytetarëve të 7 shteteve (Siria, Iraku, Irani, Libia, Sudani, Jemeni, Somalia).

 – Pretendohet se Iraku nuk do të përfshihet në rregulloren e re të vizave nga Trump

Përveç kësaj, pritet që të hiqet dispozita e cila parashesh që refugjatët që hyjnë në SHBA, t’u jepet më shumë përparësi krishterëve dhe në këtë mënyrë, që në fillim të tejkalohet çdo pengesë e mundshme juridike.

Një çështje tjetër e cila ka tërhequr mjaft vëmendje në këtë artikull është se për dallim nga dekreti i parë i cili ka pezulluar programin e refugjatëve për 4 muaj si dhe ka sjellur ndalesë për sirianët deri në një vendim të dytë, edhe në rregullimin e ri, programi i refugjatëve përsëri do pezullohet për një perudhë të caktuar, mirëpo edhe sirianët do të trajtohen njëjtë sikur refugjatët e shteteve tjera.

Bëhet e ditur se do të vendoset një interval i caktuar kohor ndërmjet nënshkrimit dhe fillimit të aplikimit të rregullimit të ri, që në këtë mënyrë do të parandalohen paraqitjet në hyrjen e aeroporteve siç ishte rasti me aplikimin e vjetër.

Dekreti i Trump, të cilin e nënshkroi më 27 janar dhe i cili ka mbyllur dyert e SHBA-ve për 3 muaj ndaj qytetarëve të 7 vendeve me shumicë muslimane, ka ndaluar pranimin e refugjatëve nga Siria deri në një vendim të dytë, ndërsa ka pezulluar për 4 muaj edhe programin SHBA-ve për refugjatët.

Gjyqtari me detyrë në Seattle, James Robert, më datën 3 shkurt, ka vendosur pezullimin e ndalesës së vizës në mbarë shtetin ndërsa është refuzuar edhe kërkesa e Trumpit që ka bërë në Gjykatën e Apelit.

Ryan: përgjigje për lidhjet e mundshme mes ekipit të Trumpit dhe Rusisë

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, Paul Ryan, tha se ka nevojë për përgjigje lidhur me kontaktet e papërshtatshme të zyrtarëve që drejtuan fushatën e presidentit Donald Trump dhe Rusisë, gjatë garës presidenciale.

Kemi nevojë për përgjigje. Kemi nevojë të sigurohemi se nuk ka ndodhur asgjë që nuk duhej ndërsa ecim përpara”, tha zoti Ryan sot gjatë një interviste për rrjetin mediatik NBC.

Tri hetime të nisura nga Kongresi mbi lidhje të mundshme mes zotit Trump dhe Rusisë janë në proces. Zoti Ryan nuk tha nëse do të ishte e nevojshme përfshirja e një prokurori në hetime, por theksoi se një hetim dy palësh është i nevojshëm për të garantuar që informacioni i mbledhur i komunitetit të zbulimit nuk është kompromentuar.

Demokratët kërkojnë një prokuror të posaçëm, ose zgjedhjen e një komisioni të kongresit, që të hetojë më tej pretendimet për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet e fundit presidenciale. Por kryetari i Komisionit të Zbulimit, ligjvënësi republikan Devin Nunes, që drejton një nga proceset hetimorë që po kryen Kongresi, thotë se nuk ka gjetur asnjë provë për kontakte të papërshtatshme dhe nuk ka në plan të zgjerojë një hetim që është ndërkohë në proces.

Nuk mund të bëjmë gjueti shtrigash”, u tha gazetarëve ligjvënësi Devin Nunes.

Megjithatë, ligjvënësi kryesor demokrat në Komisionin e Zbulimit, Adam Schiff, tha se nuk është arritur ende në një përfundim, nëse ndihmësit e zotit Trump kanë patur kontakte me zyrtarë rusë gjatë fushatës presidenciale.

Ligjvënësit në të dyja dhomat: në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, përpiqen të kuptojnë detajet e gjetjeve të komunitetit të zbulimit amerikan, se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale, në një përpjekje për ta ndihmuar zotin Trump të mundë demokraten Hillary Clinton, ish sekretaren amerikane të shtetit.

Hebrejtë në SHBA: t’u jepet fund krimeve të urrejtjes

Disa grupe hebrejsh po i kërkojnë Presidentit Trump të shtojë përpjekjet për t’i dhënë fund krimeve të urrejtjes nëpër varrezat e hebrejve dhe të ndalojë kërcënimet për bomba në shkolla.

“Kush diskriminon hebrenjtë duhet ta ketë të qartë se qeveria federale do përdorë gjithë fuqinë dhe pushtetin e saj kundër intolerancës e dhunës”, tha në një pronocim për VOA-n Jonathan Greenblatt, drejtori kombëtar i “Shoqatës Kundër Shpifjeve”.

Përveç kërcënimeve me bomba, vandalët shkatërruan gjatë fundjavës qindra varre në varrezat hebraike në Filadelfia, disa prej të cilave i përkisnin viteve 1800. Policia tha se, në këtë rast, mendohet se nën shënjestër ishte komuniteti hebre, por ky nuk është një version përfundimtar zyrtar.

Greenblatt i “Shoqatës kundër Shpifjeve” nuk është i sigurtë nëse gjithë këto incidente kanë lidhje me njëri-tjetrin, por fajësoi për shtimin e tyre frymën antisemite që pasoi zgjedhjen e presidentit Donald Trump.

Edhe pse deklaratat e zotit Greenblatt nuk mbështeten në statistika zyrtare, ai i kërkoi qeverisë federale të krijojë një grup pune për të luftuar antisemitizmin; i kërkoi FBI-së që të ofrojë trajnime mbi krimet e urrejtjes dhe Departamentit të Arsimit i kërkoi të fusë në shkolla materiale kundër paragjykimeve dhe urrejtjes.

Greenblatt tha se ishte “i prekur dhe ndjente mirënjohje” që Zëvendës Presidenti Mike Pence vizitoi javën e shkuar kampin nazsit të Dachau-t në vizitën e parë jashtë vendit. Ai shkoi gjithashtu në varrezën hebraike të sulmuar nga vandalët në St. Louis, ku ofroi ndihmën e tij për zgjidhjen e këtyre problemeve.

“Është diçka e mirë që nënpresidenti foli për këtë problem, por tani ka ardhur momenti të kalojmë nga fjalët te veprat”, përfundoi Greenblatt.

Presidenti Trump flet përpara Kongresit

Presidenti Donald Trump mbajti fjalimin e tij të parë përpara të dyja dhomave të Kongresit, ku bëri thirrje për reformimin e sistemit shëndetësor dhe për rigjallërimin e ekonomisë.

Fjalimi vjen në një moment të rëndësishëm për një president të ri, të zgjedhur me synimin për të shkundur me shpejtësi Uashingtonin dhe për të bërë realitet premtimet e dështuara të politikanëve të karrierës.

Presidenti tha se ai dëgjoi “lutjet” e popullit amerikan dhe filloi zbatimin e ligjeve të emigracionit, të cilat ai tha se do të rrisin rrogat, do të ndihmojnë të papunët, do të kursejnë miliarda dollarë, dhe do ta bëjnë vendin më të sigurtë për të gjithë.

Presidenti premtoi sërish se do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit SHBA – Meksikë, duke e quajtur atë një armë të efektshme kundër drogave dhe krimit.

MBROJTJA E VENDIT NGA “SHTETI ISLAMIK”

Ai tha se ai po ndërmerr masa të forta për të mbrojtur vendin nga “terrorizmi radikal islamik” me shtimin e kontrollit të emigrantëve të mundshëm. Presidenti tha se SHBA nuk mund të bëhet një bazë terrorizmi dhe një foltore për ekstremistët.

Zoti Trump tha se ka udhëzuar Pentagonin të hartojë një plan për të mundur Shtetin Islamik, të cilin e quajti një “rrjet egërsirash të paligjshme” që kanë masakruar myslimanë dhe të krishterë, gra dhe fëmijë.

BUXHETI USHTARAK

Presidenti Trump tha se po i dërgon Kongresit një projektbuxhet që përmban një nga rritjet më të mëdha në shpenzimet e mbrojtjes në historinë amerikane.

Ai tha se burrat dhe gratë e ushtrisë kanë nevojë për mjete për ta mbajtur Amerikën të sigurt dhe për mjetet e nevojshme për të parandaluar luftën. Por, në qoftë se atyre do t’u duhet të luftojnë, – tha ai, – ata duhet të luftojnë për të fituar.

Presidenti bëri thirrje për më shumë shpenzime për veteranët.

Ai prezantoi gruan e një ushtaraku forcave SEAL të marinës që u vra gjatë një sulmi në Jemen, në muajin janar. William “Ryan” Owens ishte ushtaraku i parë i vrarë në betejë gjatë administratës Trump. Gruaja e tij Carryn Owens, i kishte sytë të mbushura me lot, ndërsa u prit me duartrokitje, që zgjatën të paktën një minutë.

Nëse aleatët e Amerikës duan të dinë se çfarë miku do të kenë, – tha zoti Trump, – mjafton të shihni këta heronj në uniformë ushtarake”.

POLITIKA E BRENDSHME

Presidenti Trump tha se ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë harxhuar triliona dollarë në vende të tjera, vetë infrastruktura amerikane është rrënuar.

Presidenti tha se “Amerika mund të bëhet sërish madhështore vetëm nëse vendos të parët vetë shtetasit e saj.”

Brenda vendit, Presidenti tha se industritë që po zhduken do të rikthehen sërish në jetë, ndërsa veteranët ushtarakë heroikë do të marrin ndihmën që u nevojitet me dëshpërim. Rrugë të reja dhe ura të reja do të zëvendësojnë infrastrukturën e rrënuar, tha ai.

Presidenti u zotua t’i japë fund epidemisë së drogave në vend, dhe t’i japë shpresë dhe rilindje qyteteve dhe rinisë amerikane.

Presidenti bëri një përmbledhje të progresit të bërë që nga inaugurimi i tij, përfshirë angazhimin e kompanive kryesore për hapje vendesh të reja pune, ngrirjen e punësimit në qeverinë federale, si dhe nxjerrjen e SHBA nga Marrëveshja e Tregtisë së Trans-Paqësorit, që ai e quajti “një marrëveshje që vret vendet e punës”.

Fillimi kaotik i Presidentit Trump në detyrë ka bërë që deri tani miratimi i publikut të jetë historikisht i ulët për një president të ri. Vetëm 44 për qind e amerikanëve e miratojnë punën e bërë prej tij, sipas një sondazhi të ri të NBC News / Wall Street Journal.

POLITIKA E JASHTME, MBËSHTETJE PËR NATON

Lidhur me politikën e jashtme, Presidenti bëri thirrje për një angazhim më të madh dhe të drejtpërdrejtë me botën. Kjo, – tha ai, – është një politikë e rolit udhëheqës amerikan në bazë të interesave jetike të sigurisë që SHBA ndajnë me aleatët.

“Ne mbështesim fuqimisht NATO-n, një aleancë e farkëtuar përmes lidhjeve gjatë dy luftërave botërore që rrëzuan fashizmin dhe Luftës së Ftohtë që mundi komunizmin. Por partnerët tanë duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare. Dhe tani, bazuar në diskutimet tona shumë të fuqishme dhe të sinqerta, ata kanë filluar të bëjnë pikërisht këtë,” – tha Presidenti Trump.

Presidenti tha se pret që partnerët e SHBA, qoftë në NATO, në Lindjen e Mesme, apo në Paqësor – të luajnë një rol të drejtpërdrejtë dhe kuptimplotë si në operacionet strategjike dhe ushtarake si dhe të paguajnë pjesën e tyre të shpenzimeve.

Zoti Trump tha se SHBA do të respektojnë të drejtat sovrane të popujve:

“Vendet e lira janë mjeti më i mirë për të shprehur vullnetin e popullit dhe Amerika respekton të drejtën e të gjitha vendeve që të hartojë rrugën e tyre. Detyra ime nuk është të përfaqësoj botën. Detyra ime është të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Presidenti Trump tha se Amerika është më mirë kur në botë ka më pak konflikt dhe se duhet mësuar nga gabimet e së kaluarës; “Ne kemi parë luftra dhe shkatërrimet që ato kanë sjellë në botë,” – tha Presidenti.

PËRGJIGJA E DEMOKRATËVE

Në përgjigjen në emër të demokratëve, ish guvernatori i shtetit Kentucky, Steve Beshear tha: “Presidenti Trump ka injoruar kërcënimin serioz ndaj sigurisë sonë kombëtare nga ana e Rusisë, e cila nuk është mikja jonë, duke na larguar nga aleatët, të cilët kanë luftuar me ne krah-për-krah dhe janë miqtë tanë në një botë të rrezikshme.”

Zoti Beshear tha se presidenti mundet dhe duhet të zbatojë ligjet e imigracionit. Por ne, – tha ai, – mund ta mbrojmë Amerikën pa braktisur parimet tona dhe detyrimin tonë moral për të ndihmuar ata që ikin nga lufta dhe terrori, pa ndarë familjet dhe pa kërcënuar në mënyrë të panevojshme ushtarakët tanë, burra e gra, që luftojnë jashtë vendit.

Në emër të demokratëve u përgjigj edhe Astrid Silva, aktiviste e imigracionit, e cila foli spanjisht. Ajo tha se emigrantët dhe refugjatët janë shpirti dhe premtimi i këtij vendi. “Ne nuk jemi vetëm,” – tha ajo.

SHBA thirrje Maqedonisë të krijojë pa vonesë qeverinë

Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të martën udhëheqësve të Maqedonisë të formojnë pa humbur kohë qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Qeveria e re, shprehet përmes një deklarate zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, do të ndihmojë për t’i dhënë fund krizës politike, që ka dëmtuar rëndë përparimet ekonomike dhe demokratike të vendit, si dhe integrimin Euro-Atlantik.

Uashingtoni u bën thirrje gjithë partive të vënë në radhë të parë interesat e Maqedonisë dhe qytetarëve të saj dhe të zbatojnë plotësisht angazhimet që rrjedhin nga marrëveshja e Përzhinës.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e Bashkimit Evropian dhe NATO-n, po ndjekin nga afër procesin e formimit të qeverisë së re, thekson zëdhënësi i Demartamentit të Shtetit.

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Zoran Zaev, i dorëzoi dje presidentit Gjeorgje Ivanov listën me numrin e duhur të deputetëve për të formuar qeverinë, pas dështimit të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, që ndonëse fitoi në zgjedhje, nuk arriti të krijonte një koalicion qeverisës.

Zoti Zaev, është në pritje të marrjes së mandatit për formimin e qeverisë nga presidenti Ivanov, kabineti i të cilit tha të hënën se presidenti pritet të marrë një vendim së shpejti në se do t’ia japë apo jo mandatin zotit Zaev. Presidenti Ivanov ka thënë më parë se partia që pretedon të formojë qeverinë, përveç sigurimit të 61 deputetëve, duhet të dorëzojë edhe programin përmes të cilit të garantojë ruajtjen e sistemit unitar të shtetit.

Fati i qeverisë së ardhshme në Maqedoni është në duart e partive shqiptare, nga të cilat Bashkimi Demokratik për Integrim ka marrë numrin më të madh të vendeve në parlament. Përmes një qëndrimi të përbashkët, 3 parti shqiptare kanë paraqitur një sërë kushtesh për të mbështetur koalicion qeverisë, ku kryesorja është avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe.

Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim bënë të ditur se qëndrimet e tyre ishin përafruar, por marrëveshja nuk është bërë ende e ditur.

Negociatat mes tyre pritet të vazhdojnë pas dhënies së mandatit nga presidenti. BDI ende nuk e ka shprehur të qartë qëndrimin e saj në se do të jetë pjesë e qeverisë, apo vetëm do të japë mbështetjen për krijimin e saj, por pa u bërë pjesë e bashkë-qeverisjes, duke e lënë partinë social demorkate si një qeveri të pakicës.

Përkrahës të partisë VMRO-DPMNE ndërkohë kanë filluar prej dy ditësh protesta në Shkup kundër asaj që e quajnë federalizim të Maqedonisë, duke kundërshtuar zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe.

Trumpi, për herë të parë, mban fjalim para Kongresit

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë premtuan se adresimi i parë i presidentit Donald Trump në Kongres, “do të bazohet fuqishëm në zgjidhjen e problemeve të vërteta për njerëzit e vërtetë”.

“Presidenti do t’ua bëjë me dije se ndihma është në rrugë e sipër”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Trump do t’iu adresohet të dyja dhomave të Kongresit të martën në mbrëmje.

Adresimi, i titulluar “Përtëritja e frymës amerikane”, do të jetë në radhë të parë për “mundësitë ekonomike dhe mbrojtjen e popullit amerikan”, tha Spicer.

“Do të dëgjoni shumë edhe për emigrimin”, tha ai.

Rezistenca ndaj presidentit Trump

Pushimi i parë i kongresit gjatë administratës së presidentit Trump, i vendosi shumë ligjvënës republikanë në pozita të vështira, pasi në takimet në bazë, u përballën me pyetje të vështira nga votuesit e zemëruar me propozimet për të ndryshuar ligjin për shërbimin shërndetësor dhe të tjera çështje. Korrespondetja e “Zërit të Amerikës” Katherine Gypson udhëtoi drejt Arizonës, një nga bastionet e republikanëve, për të parë nëse kjo lëvizje në rritje qytetare, do të ketë ndikim kur ligjvënësit të rikthehen në Kongres.

Grupe demokratësh po zhvillojnë protesta të rregullta përpara zyrës së senatorëve republikanë Jeff Flake dhe John McCain, në atë që njihet si “Qëndresa ndaj Trumpit” që zhvillohet çdo të martë.

Legjislativi duhet t’i kërkojë llogari dhe t’i kujtojë atij se ai nuk është biznesmen por presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Por në kushtet kur senatorët nuk zhvillojnë asnjë aktivitet publik gjatë këtyre ditëve të pushimit, mundësia e vetme e protestuesve është të shkojnë në zyrat e tyre për përgjigje.

Tensioni shtohet kur drejtuesja e këtij grupi protestuesish Tanya Luken përpiqet të bëjë pyetje lidhur me shërbimin shëndetësor, të emëruarit e kabinetin dhe lidhjet e presidentit Trump me Rusinë.

Frymëzim për protestuesit, në përbërje të të cilëve ka shumë që protestojnë për herë të parë, është lëvizja republikane “Tea Party”. Kjo lëvizje përdori të njëjtat taktika ndaj ligjvënësve gjatë administratës së presidentit Obama.

Ata duhet të përfaqësojnë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që votuan për ta”.

Në shtete të njohura për mbështetjen e fortë ndaj Partisë Republikane është e pazakontë që ligjvënësit të kundërshtojnë zotin Trump. Por grupet e protestuesve në gjithë vendin argumentojnë se ata meritojnë të dëgjohen.

Protestuesit mbushën takimet e ligjvënësve në bazë, për të kërkuar përgjigje. Por 200 ligjvënës republikanë nuk pranuan të zhvillojnë takimet publike. Aktivistët i vazhduan protestat e tyre gjithsesi.

Demokratët në distriktin konservator të ligjvënësit Paul Gosar dolën në rrugë pasi ai anuloi takimin me bazën.

Marshimi i tyre drej zyrës së ligjvënësit tërhoqi dhe mbështetës të tij, që thanë se zoti Gosar dhe presidenti Trump përfaqësojnë vlerat e kësaj zone.

I gjendur rastësisht aty, Terry Curtin votues i zotit Trump tha se ndaloi për të dëshmuar mbështetjen ndaj presidentit.

Lëvizja “Tea Party” u krijua për të ndryshuar Partinë Republikane nga brenda, kjo nuk ka fare të bëjë me atë. Kjo është vetëm për të sulmuar Trumpin dhe kaq.

Por organizatori Dave Coward thotë se lëvizja do të shpërndajë apelin e saj tek republikanët e moderuar dhe të pavarurit.

Nuk mendoj se do të durojnë gjatë. Nuk mendoj se ai apo ndonjë republikan në këtë shtet duhet të ndihet i qetë sepse do të ketë rplasje të ashpër”.

Këto janë ato çfarë mbeten nga një javë proteste. Votuesit shpresojnë se shqetësimet tyre do të jenë shqetësimet e ligjvënësve kur ata të rikthen në punë në Washington.

Trumpi thotë se Obama qëndron prapa disa protestave politike

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se beson që ish-presidenti Barack Obama, qëndron pas disa protestave të organizuara kundër republikanëve në mbarë vendin.

Gjatë një interviste televizive më 28 shkurt, pak orë para se t’i adresohet Kongresit, Trump është përgjgjur në pyetjen lidhur me protestat, duke thënë se “besoj se presidenti Obama është prapa sepse njerëzit e tij, sigurisht janë prapa” protestave, ka thënë presidenti Yrump.

Gjatë intervistës, presidenti ka mohuar se në Shtëpinë e Bardhë është në zhvillimin e sipër procesi i rrjedhjes, pas raporteve se sekretari për media Sean Spicer, i ka kontrolluar telefonat e stafit të Shtëpisë së Bardh5, për dyshime për rrjedhje.

Trump, duke folur për Fox News ka shtuar se beson që besnikët e Obamës qëndrojnë pas këtyre rrjedhjeve të Shtëpisë së Bardhë.

“Gjithashtu e kuptoj se kjo është politike. Në kuptimin që ai po qëndron prapa gjërave, kjo është politikë. Kjo gjë me gjasë do të vazhdojë”, ka shtuar Trump.

Presidenti Trump kërkon rritje me 10 për qind të buxhetit për mbrojtjen

Presidenti Donald Trump kërkoi të hënën një rritje vjetore prej 54 miliardë dollarësh për shpenzimet e mbrojtjes, duke e përshkruar rritjen prej 10 për qind nga buxheti i mëparshëm i mbrojtjes, si një ngjarje historike. Ky është një mesazh që synon ta sigurojë botën për “fuqinë, sigurinë dhe vendosmërinë e Amerikës”, – tha ai.

Duke folur në një takim që pati në Shtëpinë e Bardhë me guvernatorët e shteteve amerikane, presidenti Trump tha se “Ne duhet të sigurohemi që burrat dhe gratë, pjesëtarë të forcave tona të armatosura t’i kenë mjetet e nevojshme që kur të thirren për të luftuar në emrin tonë, të shënojnë vetëm fitore”.

Presidenti i ri amerikan tha se Shtetet e Bashkuara duhet të fillojnë përsëri t’i fitojnë luftrat, duke kujtuar që në vitet e rinisë të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, amerikanët mburreshin se vendi “nuk kishte humbur kurrë në luftë”.

“…Dhe tani ne nuk e fitojmë asnjëherë luftën”, tha zoti Trump. Vitet e fundit ne nuk kemi luftuar për të fituar, prandaj këtej e tutje ne do të luftojmë vetëm për të fituar”, – tha ai.

Zoti Trump tha se ai do t’i saktësojë më mirë përparësitë e buxhetit, gjatë fjalimit që do të mbajë të martën në mbrëmje para Kongresit. Ai shtoi se “rritja e buxhetit të Pentagonit do të shërbejë për fuqizimin e ushtrisë amerikane të lënë pa mjetet e nevojshme, në një kohë kur vendi ka shumë nevojë.”

Zyrtarë të buxhetit i thanë gazetarëve se me rritjen e madhe të shpenzimeve për mbrojtjes, do të ketë shkurtime të disa programeve të ndihmave brenda dhe jashtë vendit. Administrata Trump ka në plan t’i bëjë të njohura nivelet e shpenzimeve për disa agjenci qeveritare në një dokument që do t’ja paraqesë Kongresit muajin e ardhshëm dhe më vonë do të paraqesë propozime për shkurtimin e taksave.

Trump tha se shifrat e buxhetit janë të komplikuara, pasi Kongresi fillimisht do të duhet të merret me zhbërjen dhe zëvendësimin e reformës së shërbimit shëndetësor të Presidentit Obama, të njohur si Obamacare, për të përcaktuar shpenzimet e qeverisë për shërbimin shëndetësor në vitin fiskal që fillon më 1 tetor.

Zoti Trump tha se “Obamacare është një plan i dështuar.”

Por zhbërja dhe zëvendësimi i ligjit është i komplikuar dhe fati i tij në Kongres është i paqartë. Zoti Trump nuk është shprehur për detajet, sipas të cilave ai do ta ndryshojë ligjin.

Gjatë fushatës, zoti Trump premtoi në mënyrë të përsëritur mbështetjen për ushtrinë dhe të premten ai u zotua të zbatonte “një ndër fuqizimet më të mëdha ushtarake në historinë e Amerikës”.

Presidenti tha se nuk do të ketë shkurtime të programeve në mbështetje të të moshuarve me pensione dhe kujdes shëndetësor.

Propozimet që dolën sot mund të ndryshojnë gjatë procesit të gjatë të hartimit të projekt-buxhetit për vitin fiskal 2018 që fillon në tetor të këtij viti.

Agjencitë amerikane paraqesin propozimet e tyre mbi nevojat e tyre dhe buxhetin që u nevojitet për të përmbushir misionet e tyre; fjala e fundit i takon Kongresit për të miratuar shpenzimet federale.

Uashington, thirrje për hetime mbi ndikimin e Rusisë në zgjedhjet amerikane

Në Uashington, po shtohen thirrjet nga të dyja partitë për një hetim të pavarur mbi përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet amerikane dhe mbi çdo lidhje mes Moskës dhe rrethit të ngushtë të presidentit Donald Trump. Shtëpia e Bardhë po përpiqet të shmangë shkallëzimin e polemikave, ndërkohë që presidenti përgatitet të flasë për herë të parë përpara Kongresit.

Në fjalimin e përjavshëm të shtunën, presidenti Donald Trump foli për mesazhin që do të japë nesër mbrëma mbi ekonominë.

“Ne do të punojmë për të rikthyer vendet e punës, e kam fjalën për vende pune të paguara mirë.”

Por vemendja vazhdon të jetë tek probleme të tjera të mëdha, si Rusia.

“Ne duhet të hetojmë aktivitetet e tyre dhe duhet ta bëjmë këtë, sepse janë njerëz të këqij,” shprehet Kongresmeni republikan Darrell Issa, i cili u është bashkuar demokratëve në thirrjet për një hetues të posaçëm, të pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, që është njeri i besuar i zotit Trump.

“Zoti Jeff Sessions ishte mbështetës i zotit Trump në fushatë, prandaj duhet një hetues i posaçëm. Nuk mjafton vetëm tërheqja e zotit Sessions, çështja nuk mund t’i lihet as zëvendësit të tij,” tha zoti Issa.

“Jemi jashtëzakonisht të sigurt se, çfarëdo hetimi që të bëhet, ata të gjithë do të arrijnë në të njëjtin përfundim; se ne nuk jemi përfshirë në një ndërhyrje të rusëve në zgjedhje,” tha një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Shtëpia e Bardhë thotë se është koha për ta lënë pas këtë çështje.

“Vjen një pikë kur ne duhet të ecim përpara dhe të përqendrohemi te gjërat që i interesojnë popullit amerikan. Kemi folur kaq herë për këtë çështje, jemi pyetur dhe jemi përgjigjur.”

Por demokratët nuk pajtohen.

“Prokurori i Përgjithshëm duhet të tërhiqet vetë nga hetimi. Le të bëhet një hetim për të gjetur të vërtetën,” thotë demokratja Nacy Pelosi.

Disa komisione të Kongresit të udhëhequra nga republikanët kanë filluar të hetojnë rreth aktiviteteve ruse.

“Le të shohim si do të shkojë. Debatet janë mënyra e duhur për të vazhduar,” thotë kongresmeni republikan Jim Jordan.

Ndërkohë, Presidenti Trump nuk po e fsheh zemërimin rreth kësaj polemike që nuk po i ndahet si dhe rreth mbulimit të saj nga mediat.

Ish-presidenti Bush flet për Trumpin dhe Rusinë

Ish-presidenti i SHBA-së, George W. Bush, ka thënë sot se “të gjithë ne kemi nevojë për përgjigje” në lidhje me shtrirjen e kontakteve mes presidentit Donald Trump dhe Qeverisë së Rusisë.

Po ashtu, Bush e ka mbrojtur rolin e mediave për t’i mbajtur nën kontroll liderët botërorë, transmeton Express.

Në një intervistë me NBC, Bush ka thënë se do t’i besojë kryetarit të panelit të Senatit të Inteligjences, Richard Burr, për të vendosur nëse prokurori special është i nevojshëm për t’i hetuar kontaktet e dyshuara të Trumpit me rusët.

“Mendoj se të gjithë ne kemi nevojë për përgjigje… nuk jam i sigurt se cila është rruga e drejtë për t’u marrë. Por, megjithatë jam i sigurt se në këtë pyetje duhet përgjigjur,” ka thënë Bush.

Bush e ka mbrojtur edhe rolin e mediave për t’i mbajtur nën kontroll liderët botërorë, gjithashtu.

“Pushteti mund të jetë adiktiv. Është e vështirë t’u thuash të tjerëve që të kenë një shtyp të pavarur dhe lirë, kur vetë nuk e ke vullnetin për ta pasur një të tillë,” ka shtuar Bush.

Rriten tensionet, Trumpi i jep ultimatum Putinit

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Rusisë “që menjëherë” ta monitorojë marrëveshjen për armëpushim në pjesën lindore të Ukrainës, duke thënë se forcat e kombinuara të ushtrisë ruse dhe separatistët e mbështetur nga Rusia atje, i kanë marrë në shënjestër vëzhguesit ndërkombetarë.

Në kumtesën e sotme, Departamenti amertikan i shtetit, i ka bërë thirrje “Rusisë dhe forcave separatiste, që ajo i mbështet, që menjëherë të monitorohet armëpushimi, të tërhqien armatimet e rënda dhe të lejohet qasje e plotë dhe e papenguar”, në rajon për vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Kjo thirrje e Uashingtonit u bë një ditë pasi misioni monitorues i OSBE-së tha se personat e armatosur në territorin nën kontroll të separatistëve, në pjesën veriore të Donjeckut, e kanë konfiskuar një fluturake pa ekuipazh, të cilën monitoruesit e përdorin për regjistrimin e shkeljeve të armëpushimit.

Kjo ndodhi një ditë pasi qeveria e Ukrainës tha se 16 ushtarë të saj ishin plagosur brenda 24 orëve të mëparshme, nga luftimet e ripërtria kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia, në pjesën lindore të Ukrainës, përkundër armëpushimit të ri, që mendohej se kishte hyrë në fuqi më 20 të këtij muaji.

Kievi dhe separatistët e mbështetur nga Rusia e fajësojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit.

REL

Shtëpia e Bardhë përpiqet të hedhë poshtë thirrjet për hetim për Rusinë

Ndërsa Presidenti Donald Trump përgatitet për fjalimin e tij të pare para Kongresit amerikan, Shtëpia e Bardhë u përpoq të dielën që të zmbrapste thirrjet më të fundit për një hetim të pavarur të përpjekjeve ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit që kaloi dhe të çdo lidhjeje të mundshme mes Moskës dhe rrethit të afërt të Presidentit.

“Ne jemi jashtëzakonisht të bindur që çfarëdo analize të bëhet, të gjithë do të arrijnë në të njëjtin përfundim: se ne nuk kishim asnjë rol në ndërhyrjen ruse”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders në emisionin “This Week” të televizionit ABC.

Të premten, kongresmeni republikan nga Kalifornia, iu bashkua demokratëve në thirrjen për një prokuror të posaçëm që të mos jetë i ekspozuar ndaj ndikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions, një njeri i besuar Presidentit Trump.

“Sessions, mori pjesë në fushatë dhe është i emëruari i tij. Duhet të përdoret statuti i një prokurori të posaçëm dhe jo vetëm të përjashtohet Sessions nga mundësia e hetimit, por që të mos mund t’ia japë këtë rol as zëvendësit të tij”, tha zoti Issa në emisionin “Real Time with Bill Maher” të televizionit HBO.

“Ne duhet të hetojmë aktivitetet ruse, sepse bëhet fjalë për njerëz të këqinj”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë tha se amerikanën kanë shqetësime më urgjente.

“Vjen një moment kur duhet ta lëmë pas këtë çështje dhe të fillojmë të merremi me çështje që kanë rëndësi për popullin amerikan. Dhe nuk mendoj se kjo është një prej tyre. Ne kemi folur vazhdimisht për këtë temë. Jemi pyetur dhe jemi përgjigjur”, tha zonja Sanders.

Demokratët nuk po tërhiqen.

“Prokurori i Përgjithshëm duhet ta përjashtojë veten. Le të kemi një hetim dhe të zbulojmë të vërtetën”, tha udhëqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në emisionin “This Week”.

Disa komisione të kongresit të drejtuara nga republikanët por i hetojnë aktivitetet e rusëve, ashtu si edhe Departamenti i Drejtësisë.

Sido që të jetë ecuria e hetimeve, zoti Trump nuk e ka fshehur zemërimin lidhur me këtë debat ose me pasqyrimin e tij në media.

“Këto zëra për Rusinë janë LAJME TË RREME të nxitura nga demokratët dhe të fryra nga media, për të maskuar disfatën e thellë në zgjedhje dhe rrjedhjet e paligjshme të informacionit”, shkruante presidenti të dielën në Twitter.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane duke depërtuar në emailet e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe duke i bërë ato publike, si edhe duke përhapur njoftime të rreme që kishin si synim të dëmtonin reputacionin e kandidates demokrate për Presidente, Hillary Clinton.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn dha dorëheqjen vetëm 24 ditë pasi kishte marrë detyrën, pasi u kishte dhënë informacion jo të saktë nënpresidentit Mike Pence dhe zyrtarëve të tjerë të Shtëpisë së Bardhë lidhur me kontaktet e tij të shpeshta me ambasadorin rus Sergey Kislyak gjatë periudhës së tranzicionit para inaugurimit të Presidentit Trump.

Presidenti Trump nuk merr pjesë në darkën e korrespondentëve

Presidenti Trump në zyrën e tij në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan, Donald Trump, i përfshirë në raporte kundërthënëse me media, e ka thyer traditën duke thënë se nuk do të merr pjesë në Darkën e korrespondentëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk do të marrë pjesë në Darkën e Asociacionit të Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë këtë vit”, ka shkruar dje Trump në rrjetin Twitter dhe ka shtuar se “uron që të gjithë të kenë një mbrëmje të mrekullueshme”.

Zoti Trump disa herë i ka sulmuar organizatat udhëheqëse mediale në Shtetet e Bashkuara, duke i akuzuar ato për raportim të “lajmeve të rrejshme” dhe shumë prej tyre i ka quajtur “armiq të popullit amerikan”.

Duke pasur parasysh raportet problematike, shumë gazetarë kanë thënë se po e shqyrtojnë mundësinë që të mos marrin pjesë në darkën, që organizohet më 29 prill në Uashington.

Njoftimi i presidentit Trump për mospjesëmarrje në këtë darkë, u bë një ditë pasi Shtëpia e Bardhë i ka përjashtuar disa gazetarë të mediave udhëheqëse nga një takim joformal në Shtëpinë e Bardhë. Ky veprim është kritikuar ashpër nga shumë organizata të lajmeve.

Nju-Orlins: Një shofer me makinë e goditi turmën e njerëzve

Ilustrim nga parada Mardi Gras

Policia në Nju-Orlins të Shteteve të Bashkuara thotë se një person, që duket se ishte “i dehur në shkallë të lartë” me makinën e tij e ka goditur turmën e njerëzve që e shikonin një paradë, duke i lënduar 28 vetë.

Shefi i policisë, Michael Harrison, tha mbrëmë vonë se i dyshuari është arrestuar dhe ndaj tij po zhvillohen hetime për drejtim të makinës në gjendje të dehur.

“Ne kemi dyshime se ky person ishte i dehur në shkallë të lartë”, tha zoti Harrison, i pyetur se a mendon se incidenti ishte i ndërlidhur me terrorizëm.

Zyrtarët thanë se 21 persona janë dërguar në spitalet lokale, ndërsa të tjerët janë nën kontroll.

Një zyrtar mjekësor tha se në mesin e të lënduarve ka edhe fëmijë të moshës 3 – 4 vjeçare.

Mijëra njerëz tubohen në rrugët e Nju-Orleansit për festimet tradicionale të njohura me emrin, Mardi Gras.

Tom Perez, kreu i ri i demokratëve amerikanë

Partia Demotratike në Shtetet e Bashkuara zgjodhi si kryetar të saj, ish-Sekretarin e Punës në administratën e ish-Presidentit Barack Obama, Tom Perez.

Ai do të ketë detyrën e vështirë të rikonsolidimit të Partisë Demokrate, pas disfatës në zgjedhjet presidenciale, që i fitoi Republikanë Donald Trump.

447 anëtarë të Komitetit Kombëtar Demokrat votuan të shtunën në Atlanta. Një nga kandidatët e tjerë kryesorë ishte kongresmeni nga Minnesota Keith Ellison.

Fitorja e zotit Perez, bir emigrantësh domenikanë, shihet si një humbje për krahun më liberal të partisë, pasi ai ishte kandidati i pjesës më konvencionale të partisë.

Disa analistë politikë e kishin konsideruar votën si një betejë mes krahur të ish-rivalëve presidencialë Hillary Clinton dhe Bernie Sanders.

McMaster: Terroristët po korruptojnë Islamin

Gazeta New York Times shkruan se këshilltari i ri i Sigurimit Kombëtar i ka thënë stafit të tij se myslimanët që kryejnë akte terroriste korruptojnë Islamin; një largim nga pozita ideologjike e mbajtur nga këshilltarë të tjerë të lartë të presidentit Donald Trump.

Sipas gazetës New York Times, gjeneral-lejtnanti H.R. McMaster u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar se përdorimi i termit “terrorizëm islamik radikal” ishte kundërproduktiv, sepse veprimet e terroristëve janë jo-islamike.

Sipas njerëzve që morën pjesë në takim, zotit McMaster i bëri këto vërejtje të enjten në mbledhjen e parë me stafin e tij.

Komentet e tij janë shenjë e hershme se ai mund ta distancojë Këshillin e Sigurimit nga pikëpamjet ideologjike të paraardhësit të tij, Michael Flynn.

Shkalla e ndikimit të zotit McMaster për këtë çështje mbetet për t’u parë në Shtëpinë e Bardhë, ku disa këshilltarë të lartë të presidentit kanë perceptim të ndryshëm të Islamit. Strategu kryesor Stephen Bannon, për shembull, ka paralajmëruar për një betejë të afërt mes botës judeo-të krishterë dhe Islamit.

Dallimet në qëndrimet e mbajtura nga këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë mund të ekspozohen publikisht vetëm nëse Komisioni i Senatit për forcat e armatosura vendos të mbajë një seancë konfirmimi për zotin McMaster. Këshilltari i sigurimit kombëtar nuk kërkon konfirmimin e Senatit, por senatorëve u duhet të votojnë për miratimin e gradës së tij të gjeneralit me tre yje për pozitën e re. Kryetari i Komisionit, senatori John McCain, nuk ka thënë nëse do të zhvillojë një seancë të tillë konfirmimi.


Send this to a friend